VOAL

VOAL

Dosja dërgohet në gjykatë në limitet e afatit, bien akuzat ndaj Lulzim Bashës për lobimin rus e pastrim parash

Prokuroria ka dërguar në gjykatë, në limitet e afatit, dosjen ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha dhe dy zyrtarëve të tjerë, ish-sekretari i përgjithshëm të PD, Arben Ristani dhe financierit Ilir Dervishi.

3 prokurorët e çështjes ishin të ndarë në vendimmarrje, dy prej tyre Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako për ta çuar në gjykatë dhe Kol Hysenaj për të vijuar hetimet, por drejtuesja e prokurorisë nxorri një udhëzim të përgjithshëm sipas të cilit rekomandon prokurorët të kryejnë veprime të mëtejshme për çështjen.

 

Ky udhëzim nuk është marrë në konsideratë nga dy prokurorë dhe duke qenë se afatet hetimore përfundonin sot më 12 dhjetor dosja është dorëzuar në gjykatë. Krahas dosjes në gjykatë është dorëzuar edhe akti i drejtueses së prokurorisë e cila konstaton disa pavlefshmëri. Fati i dosjes ‘Basha’ do vendoset nga gjykata për hetim, rishqyrtim apo pushim.

Hetimet për këtë çështje nisën kryesisht nga Prokuroria e Tiranës, pas një shkrimi të revistës amerikane, Mother Jones, e cila hidhte dyshime të forta se kompani të lidhura me shtetas rusë kishin financuar në favor të Partisë Demokratike. Referuar deklarimeve të kompanisë së lobistit Nik Muzin, rezultonte se ajo kishte marrë tri pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Njëra nga pagesat është bërë nga kompania Biniata Trade, e regjistruar në Skoci, e krijuar si partneritet i dy kompanive të tjera, të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar, aksionet e të cilave zotërohen nga shtetas rusë.

Sipas Prokurorisë, Lulzim Basha dhe zyrtarët e tjerë të PD-së nuk i kanë deklaruar këto pagesa, por vetëm një shumë prej 25 mijë dollarësh, e për këtë shkak duhet të përgjigjen për falsifikimin e formularëve. Pas njoftimit për dërgimin e çështjes në gjyq për shefin e opozitës i menjëhershëm ishte reagimi i Partisë Demokratike.

Replikat- “Do ndalojë dhe qentë të lehin”- Profesorët kundërshtojnë paketën anti-shpifje

Paketa e ligjeve anti-shpifje ka sjellë reagimet e forta të profesorëve të gazetarisë, të cilët kanë qenë sot të pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Medias.

Profesor Mark Marku ka deklaruar para deputetëve, se “që kur u bë kështjella e Surrelit, u bë dhe rreziku për mediat online”.

Marku ka thënë se me  paketën anti-shpifje, Rama do të jetë i vetmi që “kakaris” dhe se do u ndalojë dhe “qenve të lehin”.

Ndërkohë që edhe analisti, Argon Gjekmarkaj ka thënë gjatë fjalës së tij se “sulltanatet janë të bukura për t’u treguar në përralla dhe jo për t’ju jetuar”.

Më tej analisti ka thënë se nëse deputetet do ta votojnë këtë nismë, do u heqin të drejtën fëmijëve të tyre të bëjnë gazetari në të ardhmen.

“Çdonjëri e ka të shtrenjtë karrierën, por jo me çdo kusht, nuk është e thënë që kryeministri t’u përkëdhele, diku do u ngelë hatri, fëmijët tuaj do duan të bëjnë gazetarin, jo lakeut e servilit, kanë nevojë për hapësirë lirie e demokracie”, u shpreh Gjekmarkaj.

Nga ana tjetër, deputeti i maxhorancës, Musa Ulqini është revoltuar me debatin në mbledhje, duke u kërkuar pedagogëve që të mos fyejnë deputetët.

Ndërkohë që Mark Marku i është kundërpërgjigjur: “Keni ulur kokën për çdo standard të demokracisë, sjellja prej 6 vitesh ju përgënjeshtron atë që thotë”./PANORAMA.al

 (Shiko videon e debatit Mark Marku, Mirela Kumbaro)

Replikat në Komisionin e Medias

Mark Marku: Nuk e keni miratimin për këtë nga asnjë organizatë mediash dhe nga asnjë njeri me mend në kokë, kaq po them.  Që kur u bë kështjella në Surrel u bë rreziku për mediat online, ne kemi qenë pjesë, kam qenë relator i një pr/ligji dhe e dimë procedurën se si ka funksionuar, kemi pritur 2 vjet që të vinte opozita që të miratohej ligji, kemi pasur ekspertë nga KE, BE, një nga më të mirët për mediat në Evropë, vetëm për një gjë nuk kemi rënë dakord për këtë ligj që ju po e hidhni poshtë, për zgjedhjen e kryetarit të AMA.
Pas 5 vjet konsultimesh e ekspertizash kemi arritur te ai produkt që gjithsesi nuk është perfekt. Këtu i vetmi aktor interesi është kryeministri dhe po e bëni këtë ligj për atë, ju si përfaqësues te popullit nuk jeni të zotë për t’iu kundërvënë ai do të kakarisë vetëm ai, do tu mbyllë gojën edhe qenve, do t’u ndaloni edhe qenve që të lehni, këtu do të arrini.

Halit Valteri: I keni bërë fresk ju Ramës në banaqe për të marrë ndonjë kockë e për të mbajtur ato portale. A na njeh ti, a s’na njeh nuk më intereson fare ca mendon ti.

Agron Gjekmarkaj: Idiotet janë popull, vulgu gjithashtu ! Dialektika demokratike e pranon që ata te votojnë dhe te përfaqësohen ! Konstatoj se ata janë te përfaqësuar me zë dhe figure! Shume gjera te çuditshme po ndodhin ne vendin tonë, kohe pas kohe, dite pas dite, ku republika e brishte e Shqipërisë po shndërrohet ne sulltanatin e Arnautistanit ! Sulltanatet janë te bukura te rrëfehen neper përralle me qellim fluturues, po jo për te jetuar ne vitin 2019 !Projektligji për te cilin na keni ftuar te flasim është një turp, është një faj por edhe nevoje e një njeriu qe dëshiron te sundoje! Karriera është e dashur për këdo për ne e për ju, por jo çdo çmim duhet paguar për te! Sot kinse per te shmangur abuzimin me fjalinë po tentoni ta vrisni fjalën! Mbani nje qëndrim per femijet tuaj nesër qe mund te behën gazetar apo njerëz qe do ta kërkojnë dhe përdorojnë lirine e fjalës! Mos u lini kete marre tek dera dhe kete pengese te re! Gjithsei edhe po u veteposhteruat nuk do te jeni te sigurte! Nuk eshte e thene qe Kryeministri nuk jua nderpret karrieren edhe pasi tju perdoroje! Ky projekt nuk duhet rishikuar , duhet refuzuar po nuk e bete ju do ta beje koha, shoqeria duke paguar kostot e veta! Dialektika e lirise triumfon mbi sulltanatet

Musa Ulqini: Duhet të na dëgjoni, ju kemi thirrur…

Mark Marku: Jo kam takim, a ka mundësi, nëse keni pyetje, por e kam marrë zonjën e i thashë dua të vijë, për respekt të komisionit, se e bëj për vete respektin, por edhe për detyrim për shkak të situatës që po krijohet, edhe angazhimeve të mia, kam ardhur me vetëdije, kam pasur takim tjetër. Nuk ka kuptim të diskutoj, se është parim retorik, me ata që nuk të bashkon asgjë mos diskuto kurrë, por ty zonjë të bashkon interesi për të bërë një ligj për Ramën dhe ky është dallimi

Musa Ulqini: Nuk ka ndodhur që trupa profesorësh që edukojnë gazetarët të vijnë këtu e të ofendojnë, të tejkalojnë normën etike. Më vjen shumë keq.

Mark Marku: Keni ulur kokën për çdo standard të demokracisë, sjellja prej 6 vitesh ju përgënjeshtron atë që thotë./ PANORAMA.al

Shqipëria miraton memorandumin me SHBA-në për sigurinë e rrjetit 5G

Qeveria e Shqipërisë e ka miratuar një Memorandum të Mirëkuptimit me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, që ka të bëjë me sigurinë e rrjetit 4G dhe 5G.

SHBA-ja është duke komunikuar me shumë vende në botë, për të kundërshtuar bashkëpunimin e tyre me kompaninë kineze Huawei dhe rrjetin e saj 5G.

Uashingtoni e ka vendosur këtë kompani në “listën e zezë” pasi vlerëson se ajo paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.

SHBA-ja dyshon se kjo kompani bashkëpunon me qeverinë kineze dhe se të dhënat e përdoruesve të saj nuk janë të sigurta.

Rrjeti 5G paraqet gjeneratën e fundit të lidhjes së telefonave të mençur me internet dhe ofron shpejtësi të shkarkimin shumëfish më të shpejt sesa ekziston aktualisht.

Huawei me qendër në Kinë i ka mohuar vazhdimisht akuzat e Uashingtonit.

“Ne e njohim sovranitetin e çdo vendi, të drejtën për të marrë vendime për veten e tyre, por jemi përpjekur që këto dy vitet e kaluara t’u bëjmë të qartë miqve tanë, në të gjithë botën, për rreziqet e këtyre bashkëpunimeve”, tha më 5 dhjetor, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo gjatë një vizite në Portugali. rel

Ikja e Agron Tufës- Visar Zhiti, letër plot dhimbje nga SHBA: Kujtomë edhe mua mik i dashur, kur më sulmoi Presidenti

Shkrimtari Visar Zhiti i ka derguar nje leter te gjate Agron Tufes, ish kreut te Institutit per Studimet dhe Pasojat e Krimeve të Komunizmit, qe prej ditesh tashme ndodhet me familjen ne Zvicer, ku ka kerkuar azil politik, nen presionin dhe kercenimet qe ka marre me jete.

Letren, e ka publikuar vete Tufa ne profilin e tij ne Facebook, ne te cilen Zhiti i kerkon te qendroje i forte, e teksa i shkruan se kjo ngjarje e ka befasuar edhe pse sic shkruan, pritej një ndodhi kësisoj.

 

Letër nga shkrimtari Visar Zhiti

I dashur Agron,

Së pari, Ju dëshirojmë të jeni mirë, kudo qofshi, bashkë me Elvanën dhe fëmijët, që meritojnë çdo sakrificë dhe gëzime pa fund.

Edhe pse jemi shumë larg, përtej oqeanit, në SHBA, Eda dhe unë jemi vendosur afër Chicago-s, në një vend të heshtur dhe të veçuar, pa shumë lajme, ku dimri tashmë ka ardhur, me temperaturat minus – dhe jo vetëm ato janë minus për ne, – bashkë me dimrin, pra, na erdhi dhe lajmi i ikjes Tuaj familjarisht nga atdheu.
Edhe pse mua më dukej se pritej një ndodhi kësisoj, pa na befasuar dhe aq, se kështu është realiteti ynë, dramatik dhe i pabesë, gjithsesi na ka shqetësuar, shqetësim i natyrshëm për Ju, fëmijët dhe vendin.

Ikja sigurisht që pati një shkak dhe lutemi që pasojat të jenë për mirë.
Puna Juaj e madhe si drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit mbetet e rëndësishme, plot me nxjerrje dëshmish tronditëse nga jeta, nga antijeta jonë infernale në burgje, ku me ne ishte dhe ati juaj, në kampet shfarosëse aushviciane, etj., nga epoka e diktaturës më të egër në Europë dhe e gjitha kjo u shndërrua dhe në një akuzë të hapur, vazhdim i duhur i ofshamave dhe akuzave tona ndaj sundimtarëve, krimi shtetëror i të cilëve kishte nisur që gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku fitimtarët, nga çlirimtarë të vendit, u shndërruan menjëherë në pushtues të tij, u çlirua Shqipëria dhe shqiptarët u robëruan më keq se kurrë. Më parë se universitetet ata hapën burgjet dhe institucionalizuan dhunën duke mos e ndërprerë persekutimin, duke iu ngazëllyer si sadistë atij, duke e shitur me gjakun tonë si fitore të përgjithshme.
Të rrëfyerit e kësaj, me një polifoni të dhimbshme sot, një kor më tragjik se ai i antikitetit kështu, kjo hata e madhe nuk mund të durohej dot as si libër në shekullin XXI në Shqipërinë tonë të vogël nga ata që e bënë apo i shërbyen asaj diktature dhe nga bijtë e tyre, deputetë, ministra, gazetë, televizion, pedagogë, antilibra, opinion klanor, presidentë, grupe të kamufluara terrori, etj., të pasuruar të gjithë, ndoca pas emigrimit të fshehtë duke u bërë dhe qytetarë të Europës e më tej, etj., etj., kur ne duhej ta duronim diktaturën e tyre si vuajtje reale në jetë dhe pas saj, si të braktisur dhe të harruar deri në nëpërkëmbje në postdiktaturë, kur Shqipëria jonë është, si të thuash, në sistemin demokratik që ëndërruan ish të përndjekurit, ish të burgosurit, por, për paradoks, pa i dashur ata vetë, gjithandej, me mosdashuri edhe mes nesh. Idetë dhe dëshirat dhe aleatët idealë të ish të persekutuarve, BE-ja dhe SHBA-ja po, i duan, por jo neve, ish të persekutuarit dhe mbi vuajtjen tonë vazhduan, pa asnjë ndjesë a dënim moral, ndryshimin e të dikurshmes në shpëtim dhe dobi të vetes:
e kam thënë, ne kemi një demokraci me kundershtarët mizorë të demokracisë, njē kapitalizëm me armiqtë e kapitalizmit, të cilët nga idhtarë të rremë ose jo të pronës sociale, të përbashkët dhe të askujt, u bënë pronarë të ethshëm, të dyshimtë, oligarkë të Shqipërisë.
Jeta jonë prapë mbeti e vështirë, në fund të fundit si e të shumtëve, por shpesh më e pa durueshme, pa drejtësi dhe pa përgjegjës, pa kujtesë dhe të vërtetat, me moral të rrëzuar. Të mbetur në vetmitë tona që shqetësojmë dhe vetëm me pranitë, mjafton që jemi dhe shndërrohemi në akuza të gjalla…
I dashur Agron,
S’e di pse u zgjata, nga nevoja për të përsëritur shqetësimet e paqetësuara, ngaqë e ndjej ikjen Tuaj duke kërkuar azil politik në Zvicër, i sulmuar banalshëm dhe i kërcënuar deri dhe me jetë, që s’je i vetëm, i bindur që e ndjeni shumë dhe fatin tonë, të ne që jemi, si të thuash, “lënda e parë” e Institutit që drejtonit me dinjitet dhe guxim, i pësimit dhe dëshmive të rënda tonat.
Kur detyrohen të ikin studiuesit e persekutimit nga Shqipëria, ç’duhet të bëjnë të persekutuarit e mbetur gjallë, që ende u dhembin kockat nga prangat?
Agron,
Kujto atin, kujto të ikur e mëdhenj të mēparshëm, kujto persekutimin e tejmë dhe merr forcë, na kujtoni ne, nëpërkëmbjen që na bëjnë dhe sulmet e herëpashershme, edhe mua kujtomë, Mik i dashur, kur më sulmuan me të padrejtë Presidenti i Republikës, ish-oficeri me armë i diktaturës apo ish-shefi i ikur i policisë së burgut, shtypësi me hekur dhe gjak i revoltës tonë në burg e të tjerë barbarë me klanin e tyre e censorët e dikurshëm të poezive tona e deri te vrasja më e fundit afër shtëpisë së bashkëvuajtësit tonë, që e kishte të shkruar mbi lëkurën e vet dëshminë dhe akuzën kundër krimit shtetëror, etj., etj. Ne u ndjemë sërish të hedhur në arenë si gladiatorët mes bishave.
Ne e kujtojmë që pas sulmit, Ju u ngritët në mbrojtjen tonë, akuzuat si ne duke rrezikuar.
Prandaj keni dhe mirënjohjen.
Shembujt janë të shumtë.
Kujto prapë revoltat e reja të ish të burgosurve në posdiktaturë, grevat e reja të urisë, vetëdjegiet martirizuese, heshtjen e tyre të madhërishme, ikjet e tyre të mëpastajme drejt lirive të tjera dhe merr forcë si Anteu.
Kujto dhe tërmetin e tanishëm, të vrarët dhe gërmadhat e tij që na dhembin, dimrin jashtë, fëmijët e trembur, njerëzit që bashkohen, mundin e rimëkëmbjes, botën që s’na lë vetëm në pikëllimin dhe mynxyrën tonë. Kujtohu që është e pamundur të jesh vetëm, qoftë për mirë, qoftë dhe për keq.
Bota është bërë e vogël, themi shpesh, por të bëhet i madh njeriu, shtoj unë.

Agron,
Ju sërish ngritët një alarm të ri tani duke ikur, të rëndësishëm dhe të duhur dhe, për fat, të shumtë janë mbështetësit dhe bashkëluftëtarët e kauzës së përbashkët.
I bindur që do të vazhdoni betejën, si shkrimtar dhe qytetar i lirë në një botë të lirë, veprimtar i palodhur i të vërtetës dhe i të drejtës, i përulur para dhimbjes njerëzore, krah për krah me të vuajturit dhe të persekutuarit siç ishe dhe vetë nga burgu i atit Tuaj, për ta treguar me kurajo e kulturën e duhur të keqen tonë që ajo të njihet nga të gjithë për të mos u përsëritur ndër të tjerë, te askush në askund.
SHBA tani ka shtuar dhe Ditën e Kujtesës Botërore, 7 Nëntorin, në nderim të 100 milionë viktimave të komunizmit, ku janë dhe martirët tanë, që kundërshtuan heroikisht.
Edhe kujtesa jonë duhet t’i shërbejë përvojës dhe përpjekjes për pajtimin e drejtë dhe paqen e drejtë me historinë dhe veten. Është ende e vështirë. Mjafton të kujtojmë ceremoninë e rivarrimit të një patrioti të madh dhe intekektuali të madh, bir i Frashërllinjve që ribënë Kombin, se si u hodhën egërshane mbetjet e diktaturës, që as vdekja nuk i qetëson. Por nuk duhet sprapsur. Përpara për të afruar një të ardhme më të mirë se tonën te fëmijët.
Është detyrë ruajtja e tyre, rritja dhe edukimi me dashuri; “Mësomë të dua” lutej Shenjtja jonë Nënë Terezë dhe Ju bëtë një detyrë ndaj fëmijëve Tuaj, me përkushtimin dhe sakrificën prindërore. Askush nuk ka të drejtë të qortojë kërkesën Tuaj për azil, ndërkaq meritoni mbështetjen tonë dhe të të gjithëve.
Ne Ju urojmë mbarësi dhe forcë, durim dhe gëzime bashkë me gëzimet e fëmijëve, punë dhe art dhe dhimbje që së bashku të bëjmë më të mirën tonë për vendin…
Siç Ju thashë unë jam larg, edhe nga jeta tani, edhe nga bota, siç e dini, jam vetëm dhimbje, që e ndjen dhimbjen nëpërkudo…

Përqafime vëllazërore,
Visar Zhiti

Bushati për Zërin e Amerikës: “2019 ishte i mbrapshtë, përfshi zgjedhjet e 30 qershorit”

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati deklaron se viti 2019 ishte një vit i mbrapshtë dhe shpreson që 2020 të jetë viti i reflektimit.

 

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Bushati tha se edhe zgjedhjet e 30 qershorit ishin “një e keqe” në vitin 2019, ndërsa theksoi se në vitin e ardhshëm duhet ndërtuar një kulturë e re politike, përfshi maxhorancën që ka peshën më të madhe të bashkëpunimit.

“Ne jemi në fazën e një diskutimi në Kuvend, por në finale ka mbizotëruar një sens më racional duke marrë parasysh propozimet e BE-së dhe OSBE-së.  Sepse Shqipëria ka marrë kryesimin e Presidencës së OSBE-së dhe liria e medias është një nga shtyllat kryesore të kësaj organizate.

2019 ishte një vit i mbrapshtë. Nisi me djegien e mandateve, më pas zgjedhjet e 30 qershorit, tërmetet që prekën vendin.

Uroj që 2020 të jetë jo thjeshtë viti i reflektimit, por edhe bashkëpunimit, për ti dhënë jetë reformës në drejtësi. Qëllimi i saj nuk ishte thjeshtë spastrimi i atyre personave të papërshtatshëm për drejtësinë.

Ne duhet të ndërtojmë një proces dhe një kulturë të re politike, ku ne si maxhorancë kemi peshën tonë për të shtrirë dorën e bashkëpunimit”, tha Bushati.

Tiranë: Përfaqësues të medias i kërkojnë komisionit parlamentar të rrëzojë paketën “anti-shpifje”

Ilirian Agolli

Komisioni parlamentar i medias vazhdoi edhe sot dëgjesat me grupet e interesit për projekt-amendamentet në dy ligje, që ndikojnë mbi mediat të mbiquajtura nga qeveria si paketa anti-shpifje.

Pas dëgjesës së djeshme me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, sot u paraqitën përfaqësues të organizatave vendase të shtypit dhe gazetarëve. Ata kërkuan rrëzimin e projekt-ligjeve si të panevojshme, ngaqë masat ndaj shpifjes janë të parashikuara prej kohësh në Kodin Penal.

“Shqipëria ka mjaftueshëm ligje për të dënuar shpifjet në media. Nuk ekziston asnjë rast i ankesave për shpifje që të mos jetë trajtuar nga gjykata” – tha Mimoza Koçiu, koordinatore e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë.

Përfaqësues të gazetarëve pohuan se projekt-ligjet i japin AMA-s fuqi ekstragjyqësore të dënojë e të gjobisë rëndë mediat për ankesa ndaj shkrimeve të tyre para se këto ankesa mes palëve të shqyrtohen nga gjykata.

Ata thanë se masat e dënimit janë shumë të larta për financat e dobëta të mediave shqiptare, dhe se gazetarët humbin të drejtën e ankimit në gjykatë para se të kryhet pagimi i gjobave.

“Kryeministri Rama vet ka hedhur në gjyq shumë gazetarë. Na dërgoni nëpër gjykata për ankesat tuaja, dhe le ta vendosë gjykata, se tani ato po rregullohen nga reforma, por mos na dënoni me masa administrative” – tha Ylli Rakipi, përfaqësues i Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë.

Përfaqësues të mediave vendase kërkuan që komisioni parlamentar ta rrëzojë ose qeveria ta tërheqë këtë nismë kundër shpifjeve, sepse në fakt sipas, sipas tyre, ajo është një nismë kundër fjalës së lirë.

“Zgjidhja më e mirë është vetërregullimi. Një ligj për rregullimin e mediave online mund të hartohet nga vet mediat, por projekt-ligjet e sjella nga qeveria censurojnë brendinë e shkrimeve dhe nuk ndajnë qartë gazetarinë qytetare, rrjetet sociale dhe mediat online, dhe kjo paqartësi e shton më tej censurën” – tha dr. Elvin Luku, ekspert i komunikimit.

Ndërkaq i pyetur nga “Zëri i Amerikës” mbi mundësinë e tërheqjes së paketës antishpifje nga qeveria, drejtori i komunikimit të kryeministrit Edi Rama, Endri Fuga, tha se “ajo tashmë është në dorë të parlamentit, ku ka hyrë në proces dëgjesash dhe konsultimesh”, duke lënë të kuptohet se qeveria nuk po tërhiqet nga projekt-ligjet e saj.

Komisioni i medias përgjegjës për fatin e amendamenteve ligjore të paketës së mbiquajtur për anti-shpifjen dhe raporti i anëtarëve është 10 me 8 për shumicën, ndërsa kryesimin e komisionit e ka opozita.

Burime nga komisioni parlamentar i medias i thanë “Zërit të Amerikës” se vendimi për ta miratuar ose jo këtë projekt-ligj ende nuk është marrë. Sipas këtyre burimeve, në radhët e komisionit po mbizotërojnë dy opinione; ose paketa të kalojë për votim në seancë plenare, ose ajo të shtyhet për një kohë tjetër, pasi të shqyrtohen gjithë propozimet që po mblidhen nga dëgjesat me palët e interesuara vendase dhe ndërkombëtare.

‘Demokratët e qelbur’, Rama shpërthen ndaj qytetarit në Laç: S’të vjen zor, ik largohu! (DEBATI I PLOTË)

Në këto ditë të fatkeqësisë natyrore për disa qarqe të vendit, pas tërmetit të 26 nëntorit, kryeministri Edi Rama gjatë takimeve me banorët është munduar që të dëgjojë shqetësimet e tyre, por takimi i sotëm në Laç ka prodhuar disa debate.

Teksa dëgjonte shqetësimet e këtyre banorëve, kryeministri debatoi ashpër me disa prej tyre, madje iu desh që në shumë raste të ngrinte dhe tonin e zërit. Pasi ishin mbledhur në një lokal në Laç, situata ka precipituar, teksa një banor lëshoi akuza dhe ofendime për Partinë Demokratike, duke i cilësuar përfaqësuesit e saj ‘të qelbur’ që sipas tij i kishin hequr nusen e djalit nga puna.

Kaq ka mjaftuar që kreu i qeverisë të reagojë me ashpërsi, ndërsa ka shtuar se; “Leri more demokratët e qelbur. Çfarë i keni këto që thoni. S’iu vjen zor, s’iu vjen. Largohu..Ik mos më shqetëso. “Demokratët e qelbur thotë”. Largohu, boll, s’ke turp’, tha Rama.

DEBATI
Banori: O kryeministër, kam një hall.
Rama: Ca e ke atë revole?

Banori: S’maj revole.
Rama: Ca halli ke?

Banori: Kam nusen e djalit tim, ka pas punuar tek Elektriku. Edhe ka punuar me ndërgjegje, por ma ka hequr nga puna demokrati i qelbur.
Rama: Të lutem, nuk i pranoj këto.

Banori: Ah s’i pranon?! Ata i njeh tërë Laçi.
Rama: Të lutem. Mbylle këtë muhabet.

Banori: E kanë hequr me të padrejtë nga puna.
Rama: O xhaxhi po na shqetëson. S’kam ardhur për këtë gjë këtu. Mos më përmend mua ‘demokrati i qelbur’. Të lutem!

Banori: E kanë hequr…
Rama: Nuk e pranoj këtë bisedë, boll! S’kam ardhur për këtë punë.

Banori: Si s’ke ardhur për këtë punë?!
Rama: S’kam ardhur për këtë punë.

Banori: Të lutem shumë, më fut nusen në punë.
Rama: Nuk ta fus. Nuk merrem unë me futje nusesh në punë, nusja ta kërkojë punën vet, dhe jo t’i dalë vjehrri ta kërkojë.

Banori: E kanë djegur kot. Është e papunë. Me 40 mijë lekë.
Rama: O xhaxhi a do ta lëmë këtë muhabet?!

Banori: Si ta lëmë? Ajo është pa bukë.
Rama: Unë nuk fus dhe nuk heq nga puna.

Banori: Ke futur në punë ca hajdutë…
Rama: Të lutem shumë mos na shqetëso. A ka mundës të ikësh tani. Më tregon mua këtu ‘demokratë të qelbur’. Ik largohu tani. Na prishe gjithë bisedën. Mos na shqetëso. Muhabet kot. Oh Zot! Si nuk i vjen zor. Më tregon mua; “nusja në punë, nusja pa punë”.
(BalkanWeb)

Tiranë: Konferenca e ministrave të mbrojtjes së Nismës SHBA – Karta e Adriatikut 5

Ilirian Agolli

“Bashkëpunimi i SHBA-ve me vendet e A5 është pjesë e rëndësishme e sigurisë kolektive të Europës”, – deklaroi sot në Tiranë zëvendës-ndihmësja e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA – ve, Laura Cooper, në konferencën e ministrave të mbrojtjes së “Kartës së Adriatikut A5”. s

Zonja Cooper tha se “Shqipëria është një shembull i jashtëzakonshëm për mbështetjen e operacioneve të NATO-s në të gjitha koalicionet, dhe kohët e fundit në kuadrin e luftës së Gjirit. Angazhimi i SHBA-ve për Aleancën e NATO-s ndaj partneriteteve që kemi mbetet shumë i fortë”.

Ajo theksoi se me vendet e A5 gjithmonë SHBA kanë sfida të ndryshme të përbashkëta, ndaj edhe gjatë vitit të kaluar SHBA ka qenë vazhdimisht e pranishme në këtë rajon.

“Asistenca e sigurisë së SHBA, mbështetja në kuadrin e mbrojtjes vetëm nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes për vendet e A5 ka qenë mbi 743 milionë dollarë që nga viti 2012, si pjesë e bashkëpunimit për sigurinë dhe pjesë e ngritjes së kapaciteteve, si për vendet anëtare ashtu edhe për vendet vëzhguese” – tha zonja Cooper.

Angazhimi i SHBA-ve pasqyron edhe vlerësimin për kontributet e këtyre vendeve në sigurinë globale dhe rajonale, tha ajo.

“Shumë prej forcave të armatosura qëndrojnë bashkë në misionet e Afganistanit dhe misione të tjera. Vendet tuaja janë të rëndësishme për ofrimin e sigurisë për vendet e rajonit edhe në planin ndërkombëtar” – tha zonja Cooper.

Ajo theksoi se siguria që ofrojnë vendet e A5 vazhdon të jetë e rëndësishme, madje u përshtatet aspekteve taktike dhe politike të situatave të ndryshme.

“Mbështetja e SHBA në kuadrin e dyerve të hapura të NATO-s u jep mundësi mundësi vendeve të përzgjedhin rrugën e vet. Nëse ajo është një rrugë e NATO-s apo e BE-së, kjo nuk ndryshon. Ne jemi mbështetës të progresit në rajon. Ne e shikojmë A5 si një mundësi të rëndësishme bashkëpunimi për të kontribuar në sigurinë kolektive të Europës” – tha zonja Cooper.

Në konferencën e Kartës së Adriatikut 5 morën pjesë anëtarët Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, si dhe vendet vëzhguese Kosova, Sllovenia dhe Serbia.

Audiopërgjimi me vëllanë e Xhafajt, dënohet ish deputeti Salianji

Në Shqipëri prokuroria ka konsideruar fajtor për veprën penale të kallëzimit të rremë, katër personat e përfshirë në audio-përgjimin e supozuar të vëllait të ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Prokuroria ka kërkuar dënim për Albert Veliun, personin që pranoi se kishte bërë përgjimin, Fredi Alizotin, i cili u zbulua më pas se kishte qenë njeriu që ishte hequr si Geron Xhafaj, vëllai i ish ministrit, në bisedën me Veliun, gazetarin Jetmir Olldashi, i cili e deklaroi publikisht se kishte qenë ai që i kishte dhënë pajisjen përgjuese Veliut, dhe ish deputetin demokrat Ervin Salianji, i cili e bëri publik faktin dhe e mbrojti përmbajtjen e bisedës.

Për Albert Veliun, prokuroria ka kërkuar 3 vite e 6 muaj burg, duke qenë se përveç akuzës së “kallëzimit të rremë”, është gjendur fajtor dhe për “Kalim të paligjshëm të kufirit”. Për Fredi Alizotin, janë kërkuar 3 vite burg. Edhe për gazetarin Olldashi është kërkuar 1 vit burgim, por i konvertuar në 200 orë punë në komunitet, ndërsa për ish deputetin Salianji 1 vit e 6 muaj burgim të konvertuara në 3 muaj shërbim prove.

Në përfundimet e prokurorisë vlerësohet se “të pandehurit Albert Veliu, Fredi Alizoti, Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe nisur nga motive personale, kanë krijuar një provë të rremë në formën e një audio përgjimi me qëllim ngritjen e një dyshimi se nga ana e Geron (Agron) Xhafaj, ishte konsumuar një vepër penale në fushën e narkotikëve”. Prokurorët kanë shpjeguar se Veliu dhe Alizoti kanë vepruar duke patur si motiv marrjen e një shpërblimi material nga ana e të pandehurit Ervin Salianji. Sipas prokurorisë, ish deputeti i ka premtuar Albert Veliut 200 mijë euro si shpërblim nëse do t’i sillte të dhëna që inkriminonin vëllain e ish ministrit Xhafaj, në atë kohë në krye të mnistrisë së Brendshme. Veliu, theksohet në pretencën e Prokurorisë “ka patur si motiv dhe marrjen e statusit të azilantit për vete dhe familjen. Ndërsa ish deputeti demokrat, i cilësuar si “nxitës dhe organizator i këtij procesi dhe Jetmir Olldashi, si ndihmës i drejtëpërdrejtë i tij, kanë patur si motiv, dëmtimin politikisht të shtetasit Fatmir Xhafaj (vëllai i Geron Xhafaj) që në atë kohë ishte me detyrën e ministrit të Brendshëm.

Në fakt, publikimi i audio-përgjimit, pasoi një fushatë të tërë të opozitës kundër zotit Xhafaj, duke kërkuar me ngulm dhe dorëheqjen e tij si dhe duke organizuar protesta përpara ministrisë së Brendshme. Zoti Xhafaj, akuzoi që në atë kohë opozitën si autore të një materiali të sajuar, ndërsa i vëllai i tij hodhi poshtë kategorikisht të kishte patur biseda me Albert Veliun, një personazh i dënuar me burg për trafik droge në Itali dhe më pas edhe në Shqipëri. Vetë Geron Xhafaj, ndaj të cilit kishte një dënim të mbetur pezull në Itali, i përfshirë në një rast trafiku droge në vitin 2003 në Itali, ju vetdorëzua autoriteteve italiane për të shlyer dënimin, pas akuzave të opozitës se ishte marrë në mbrojtje nga vëllai i tij ministër.

Pas përfundimit të seancës së sotme, ish deputeti Salianji foli për një akt politik sipas tij, nga ana e Prokurorisë e cila siç tha ai “nuk solli asnjë provë të re. Duhet thënë se kjo nuk është drejtësia e re, janë prokurorë të drejtësisë së vjetër të përfshirë në llumin dhe batakun e korrupsionit”, u shpreh zoti Salianji i cili në sallën e gjyqit u mbështet nga një numër i konsiderueshëm figurash politike të Partisë Demokratike.

Edhe kryetari demokrat Lulzim Basha, foli sot për një “gjyq politik”, duke sulmuar prokurorët e çështjes. “Edi Rama përdori dy prokurorë të korruptuar, Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, që zbatuan sot skenarin e dështuar për t’i mbyllur gojën opozitës. Pretenca e dy prokurorëve të korruptuar është paracaktuar nga Edi Rama që të nesërmen e publikimit të skandalit”, u shpreh zoti Basha. zëri i amerikës

Skandaloze- Fijet që lidhin vëllanë e Vangjush Dakos, me pallatet e dëmtuara në Durrës (video)

Një pjesë e mirë e ndërtimeve në Durrës, kanë abuzuar edhe për shkak se kanë qënë të mbrojtur nga institucionet lokale. Tani do të fokusohemi te pallatet e një prej firmave më të mëdha ndërtuese që operon në zonë, me lidhje të forta politike. Bëhet fjalë për “Kristi Konstruksion” me aksioner Arkenad Gripshin.




Në zonën e Plazhit, një prej pallateve të kësaj firme listohet ndër më të rrezikshmit. Aty inxhinierët e huaj konstatuan mangësi të rënda strukturore dhe pallati u shpall me dëmtime të gradës D4, një shkallë larg gradës së fundit që është gjendja e shembur.

“Kemi një rast që nuk ekziston bërthama e shkallës, janë në ajër duke rënë, kemi vënë shiritin komplet i pabanueshëm., Kemi kërkuar grup ekspertize për ta parë nëse duhet bërthamë e re apo duhet shembur se nuk mban, kjo kërkon skanim total të objektit për të parë kolonat ekzistuese, soletat ekzistuese dhe a do përshtaten me bërthamë të re apo jo”, tregon Loreta Hoxha, inxhiniere.

Në këtë pallat, siç konstatuan inxhinierët francezë mungojnë strukturat antisizmike. Pra, e thënë ndryshe, për çdo tërmet që bie, ky pallat është i destinuar që të dëmtohet.

“Kristi Konstruksion” është një prej firmave të shumta që janë furnizuar me beton nga kompania “3D” me administrator Edmond Dakon, vëllain e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako.

Në Durrës, flitet shumë për kompaninë e betonit të vëllait të Dakos. Pjesën kryesore të betonit në këtë qytet bregdetar, e ka derdhur pikërisht kompania “3 D”, emri i së cilës do të thotë “Tre Dakot”, që janë tre vëllezërit e kësaj familje.

Kjo kompani është themeluar fillimisht ish – kryebashkiaku Vangjush Dako, por ai u largua nga drejtimi në vitin 2001 kur iu fut politikës. Në vitin 2003, ai ia transferoi të gjitha aksionet vëllait tjetër Artan Dako, i cili ndahet nga jeta pak kohë më vonë pas një aksidenti. Kështu, përfundimisht aksionet i kalojnë vëllait tjetër Edmond Dako.

Në të gjitha rastet, kompania e vëllait të Vangjush Dakos, është përfshirë indirekt në betonizimin e qytetit. Skema ishte e tillë, pallatet që merrnin leje, duhej të furnizoheshin nga kompania “3D”.

Top Story, ka zbuluar një rast të dokumentuar kur Edmond Dako, shfaqet si ortak me kompaninë “Kristi Konstruksion” për projektin e realizimit të një pallati 9-katësh te Shkëmbi i Kavajës.

Madje, ai ndërmerr një hap që tingëllon mjaft ironik. Edmond Dako së bashku me kompaninë “Kristi Konstruksion” padisin Bashkinë e Durrësit në Gjykatën Administrative nga e cila kërkojnë zbardhjen për pajisjen me formularin ligjor të lejes së ndërtimit për godinën në fjalë. Padia është depozituar në 8 Prill 2017, kohë kur kryebashkiak ishte ende Vangjush Dako. Pra, Edmond Dako, administrator i kompanisë “3D” padit institucionin e drejtuar nga i vëllai. I njëjti vëlla që dikur kishte themeluar kompaninë “3D”.

Sigurisht që mes tyre nuk ka pasur asnjë konflikt, por duket se beteja është zhvendosur në gjyqësor qëllimisht për të shmangur plasjen e një skandali konflikt interesi. Top Story u interesua pranë Gjykatës Administrative për të mësuar më shumë për çështjen. Dosja është ende në listë pritje duke pritur shqyrtimin.

Për tu rikthyer tek pallati që folëm pak më parë, e ndërtuar nga Kristi Konstruksion dhe vëllai i Vangjush Dakos, dalin në dritë abuzimet. Në pallatin gati në shembje të kompanisë nuk janë marrë mostra betoni për të parë cilësinë. Sipas banorëve, një prej firmave të betonit është ajo e Dakos.

Zhvendosemi pak kilometra nga ky pallat për tu ndalur te një tjetër objekt i “Kristi Konstruksion” në afërsi të urës së Dajlanit. Pallati është shpallur i pabanueshëm. Muret kanë rënë përtokë. Kjo zonjë, është detyruar të dalë në rrugë edhe pse nuk banon te ky pallat, por në banesën private aty pranë.

Situata paraqitet e njëjtë edhe në kompleksin e kompanisë “Kristi Konstruksion” me vendndodhje në lagjen nr. 17 në Durrës, në rrugën “Neki Libohova”. Grupet e inspektimit e nxorën të pabanueshëm dhe shkaqet janë të njëjta si për pallatet e tjera. Muret e brendshme janë rrëzuar përtokë. Në pallat nuk mund të futej askush ndërkohë nga jashtë, duket qartë kjo skenë epike se deri ku shkon dëmtimi.

“Si u përdor Dvorani në kapjen e Kushtetueses”, Meta publikon videon: Ju ftoj të ndiqni me durim

Presidenti i Republikës Ilir Meta përmes një videoje rithekson akuzat ndaj kreut të KED-së Ardian Dvorani, si përgjegjësin kryesor për mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetutese. Kreu i shtetit thekson se arsyeja e mosngritjes eshte bllokimi i funksionimit të KED për dy vite, me synim që në krye të saj të ishte Ardian Dvorani. Presidenca akuzon Dvoranin per mungesë transprence, qëllimi i së cilës ishte manipulimit të procesit.

Në shpjegimin që i bëhet Kushtetutës, Presidenti thekson se për çdo vakancë në Gjykatën Kushtetutëse duhen 3 emra të ndryshëm kandidatësh. KED, thuhet në spotin e presidencës, më 21 shtator 2019 miratoi renditjen e 6 kandidaturave për 4 vakancat në Gjykatën Kushtetuese. Por që ishte një konkurim fiktiv.

Por sipas kreut të shtetit, shkelja më flagrante e kreut të KED-së është shkelja e afateve dhe mosrespektimi të radhës kushtetutese.

Sipas presidencës më 8 tetor Dvorani i dërgoi me iniciativë personale listat e dy vakancave të tij njëherazi, për që është e ndaluar një përzgjedhje e menjëhershme e dy anëtareve nga Presidenti, pasi për secilën vakancë afati emërimit për çdo përzgjedhje është 30 ditë .

Sipas kreut të shtetit, afati ligjor për Presidentin jo vetëm që s’mund të përmbysë detyrimin e qartë kushtetutes të radhës së emërimit, por afati fillon vetëm kur nuk ekzistojnë më pengesa kushtetutese dhe ligjore.

Sipas presidentit shpallja në Fletoren Zyrtare të emrit të Arta Vorpsit si anëtare e Gjykatës Kushtetutese me iniciativë personale të Ardian Dvoranit, ishte antikushtetutese. Presidenti Meta thekson se vetëm Dvorani mund të degradonte integritetin e këtij procesi jetik për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

(BalkanWeb)

PS shmang Metën për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

Armand Mero

Në Shqipëri, shumica socialiste ka hartuar dy projektligje të fokusuara në çështjen e betimit të drejtuesve dhe anëtarëve të institucioneve të drejtësisë, në përpjekje për të shmangur në disa raste presidentin e Republikës, pas përplasjes që ndodhi me një nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Në rastin e zonjës Arta Vorpsi, kandidate për në Gjykatën Kushtetuese, presidenti nuk respektoi afatin ligjor për përzgjedhjen nga lista dërguar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, duke përdorur si arsyetim faktin se Kushtetuta saktësonte, sipas tij, që ai duhet të priste më parë përzgjedhjen e kandidatit nga vakancat e parlamentit. Ndërsa shumica në pushtet e konsideroi të shpallur si të emëruar automatikisht zonjën Vorpsi, Kreu i Shtetit dekretoi kandidaten Marsida Xhaferllari dhe organizoi ceremoninë e betimit për të.

Në ndryshimin ligjor të propozuar nga socialistët parashikohet që “nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, brenda 10 ditësh nga afati i zgjedhjes, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese”. Por kjo duket një zgjedhje e sforcuar duke qenë se është vetë Kushtetuta që parashikon “betimin para presidentit”.

Me anë të një tjetër projektligji, shumica ka shmangur betimin përpara presidentit dhe për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe atyre të Prokurorisë së Posaçme. Nga ana e tij zoti Meta, deklaroi se “kush gjen kohë në këto momente për të provokuar presidentin dhe popullin e Shqipërisë duhet ta ketë të qartë se presidenti i di shumë mirë jo vetëm detyrën e tij por është i ndërgjegjshëm dhe për misionin e tij”.

Këto komente zoti Meta I bëri në dalje nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka nisur hetimet lidhur me aktivitetin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pas kallëzimit penal të bërë pikërisht nga zoti Meta, ndaj drejtuesit të këtij institucioni Ardian Dvorani. Ky i fundit akuzohet nga Kreu i Shtetit për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Përvetësim të kompetencës dhe titullit shtetëror”. “Rasti është tmerrësisht flagrant. Shpresoj që Prokuroria të mos jetë nën presione politike dhe të bëjë punën e saj me profesionalizëm dhe durim. Mendoj se kjo është një provë e madhe për të gjithë të ardhmen e Reformës në Drejtësi”, deklaroi zoti Meta, duke shtuar se “Provat janë të mjaftueshme që Prokuroria të veprojë ndaj zotit Dvorani. Ne nuk bëjmë presione, ndonëse çështja është shumë e rëndë, sepse ka vënë në pikëpyetje funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Prokuroria ka patur dhe çështje të tjera që lidhen me tërmetin, por kjo është një çështje së cilës askush nuk mund t’i shmanget. Ne jemi të qetë e të duruar e do bashëpunojmë ngushtë sepse është një rast tepër flagrant”, theksoi presidenti Meta.

Kallzimi ndaj zotit Dvorani lidhet me procedurat e ndjekura për kandidatët për Gjykatën Kushtetuese. Sipas Presidentit Meta, kryetari i KED-së, gjatë procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i ka dërguar qëllimisht presidentit në të njëjtën ditë listat e kandidatëve për dy vakanca. Me këtë veprim, sipas tij, zoti Dvorani synoi krijimin e një gjendje anti-kushtetutshmërie, duke e vendosur presidentin e Republikës në pamundësi kushtetuese, dhe u përpoq të krijojë një gjendje të faktit të kryer ndaj presidentit, duke e shtyrë të shprehej edhe për vakancën e dytë përpara se të shprehej Kuvendi për zgjedhjet e veta.

Në reagimin e tij për këtë çështje, zoti Dvorani është shprehur se kallzimi penal ndaj tij, “ndër të tjera, bazohet në pretendime për ekzistencën e disa fakteve, sjelljeve dhe veprimeve të cilat janë të pavërteta, por që ndoshta kallëzuesi mendon se kanë ndodhur apo do të dëshironte të kishin ndodhur për motivet që i di ai. Nga ana tjetër, për momentin, parashtroj publikisht se, edhe vetë sjelljet dhe veprimet e mia, qoftë edhe ato të pavërteta por të dëshiruara si të tilla nga kallëzuesi, janë të tilla në natyrë që jo vetëm nuk përbëjnë ndonjë vepër penale, por as edhe ndonjë shkelje tjetër të ligjit”. Sipas anëtarit të Gjykatës së Lartë “akoma më serioze është fakti që vetë ky kallëzim penal, sikurse edhe të gjitha deklarimet e zhurmshme të Presidentit, bazohen në një vlerësim dhe interpretim tërësisht të gabuar dhe aspak profesional të Kushtetutës dhe të ligjit”, ka deklaruar zoti Dvorani.

Tiranë: Seancë dëgjimore në Kuvend me ndërkombëtarët për paketën e ashtuquajtur “anti-shpifje”

Ilirian Agolli

Përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Tiranë shprehën përsëri sot shqetësimin e tyre, se projekt-ligjet e reja të qeverisë të ashtuquajturat “paketa antishpifje” mund të kufizojnë lirinë e medias shqiptare.

Zyrtarë të OSBE, BE, Këshillit të Europës dhe UNDP kërkuan rishikimin e variantit të tretë të projekt-amendamenteve ligjeve “anti-shpifje”, ose rifillimin e punës nga e para për ligjet me ndikim mbi mediat. Ata i bënë komentet në një seancë dëgjimore para komisionit parlamentar të medias.

Ata i bënë këto komente në një seancë dëgjimore në parlamentar, para Komisionit të medias.

“OSBE mendon se AMA ka shumë kompetenca të gjera për dënimin e mediave, po ashtu edhe përmasat e gjobave ndaj gazetarëve dhe mediave janë të larta. Po ashtu duhet ndarë qartë se cfarë janë kritikat politike dhe cfarë janë shpifjet. Raporti i ODIHR-it për zgjedhjet e fundit vërejti një përqëndrim të madh të medias në duar të pak pronarëve” – tha para deputetëve Irina Radu, shefe e zyrës së medias e OSBE-së.

Zyrtarë të OSBE, BE, Këshillit të Europës dhe UNDP kërkuan rishikimin e variantit të tretë të projekt-amendamenteve ligjeve, ose rifillimin e punës nga e para për ligjet me ndikim mbi mediat.

Përfaqësuesja e BE-së, sugjeroi që shumica socialiste të mos nxitohet për ta kaluar paketën ligjore para fundit të vitit, por të diksutojë më gjatë dhe të adoptojë rekomandimet e të gjithë palëve, duke patur si bazë parimin e vet-rregullimit të mediave.

“Komisioni Europian ende rekomandon qasje më pak të ashpra ndaj medias dhe të bazuara tek vet-rregullimi. Në të 3 projektet që janë ndryshuar deri tani ne jemi shprehur se duhet të ketë përputhshmëri të plotë me standartet dhe kërkesat europiane për lirinë e medias” – tha zëvendës-drejtuesja e Delegacionit të Bashkimit Europian, Monika Bylaite.

Ndërsa përfaqësuesja e Këshillit të Europës, tha se projekt-ligjet në diskutim nuk janë në përputhje me standartet dhe praktikat e Këshillit të Europës

“Këshilli i Europës rekomandon që ligjvënësit shqiptarë t’i lënë mënjanë këto propozime dhe të nisin hartimin e një strategjie të re për përmirësimin e cilësisë së gazetarisë online dhe offline” – zonja Arkanda Bujari e Këshillit të Europës.

Organizatat ndërkombëtare këmbëngulën që shumica socialiste të mos e miratojë paketën antishpifje, pa përfshirë rekomandimet e tyre, medias, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit.

Projekt-ndryshimet ligjore u diskutuan sot në 3 komisione parlamentare njëherësh, dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë shprehën befasinë që kur diskutimi i tyre sapo nisi, por drejtuesi i socialistëve dhe i qeverisë ka deklaruar se ato do të kalojnë në parlament pas 10 ditësh.

Meta në prokurorinë e Tiranës, do të pyetet për kallëzimin ndaj Ardian Dvoranit

Presidenti Ilir Meta pritet që të shkojë në prokurorinë e Tiranës rreth orës 12:00 në lidhje me kallëzimin penal që ai bëri disa ditë më parë në adresë të kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) Ardian Dvorani.

Prokuroria do të pyesë Presidentin Meta si pala paditëse. Prokurori i çështjes është Alket Mersini.

Kujtojmë se Meta e ka akuzuar Dvoranin si një ndër përgjegjësit kryesorë për goditjen e reformës dhe krijimit të Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se ka shkelur hapur ligjin për renditjen dhe përcjelljen e listave për kandidatët e Kushtetueses. Meta e ka kallëzuar Dvoranin për akuzat e ‘përvetësimit të titullit apo detyrës shtetërore” si dhe për “shpërdorim detyre”.

Ndërkohë në reagimin e tij zyrtar në lidhje me padinë, vetë Ardian Dvorani është shprehur se ai nuk ka shkelur asnjë ligj dhe si një njeri që është marrë me ligjin, është i gatshëm që të përballet me drejtësinë për të hedhur poshtë akuzat e ngritura nga Presidenti./Express

“Shalom”, Meta pret në takim ekipin izraelit që po vlerëson ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka pritur sot ne nje takim ekipin e specialisteve izraelite qe kane ardhur ne Shqiperi e prej ditesh tashme jane ne krye te detyres duke vleresuar ndertesat e demtuara nga termeti tragjik i 26 nentorit. 

Meta, teksa ka ndare disa foto nga takimi me ta, shprehet thellesisht mirenjohes per ndihmen e madhe qe ata po japin.

“I nderuar të prisja sot ekipin izraelit që i erdhi në ndihmë qytetarëve tanë duke vlerësuar dhe këshilluar për shtëpitë dhe ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti. Thellësisht mirënjohës Izraelit dhe ekspertëve të tij ushtarakë! Shalom! 🇦🇱🤝🇮🇱”- shkruan Meta. 

“Zgjidhni krizën politike”, pas PPE-së edhe Unioni Ndërkombëtar Demokrat, rezolutë për Shqipërinë: Ja 8 pikat

Unioni Ndërkombëtar Demokrat, IDU ka dale me nje rezolute te posaçme per Shqiperine, mes te ciles i kërkon qeverisë dhe opozitës në Shqipëri të zgjidhin pa humbur kohë krizën politike.

Organizata më e madhe botërore e partive të qendrës së djathtë dhe të qendrës, e cila kryesohet nga kryeministri kanadez, Stephen Harper, ka miratuar në takimin e fundit në Washington një rezolutë të posaçme për Shqipërinë.

Rezoluta me 8 pika ka në fokus nevojën urgjente të Shqipërisë për zgjidhjen e krizës politike, për zgjedhje të lira e të ndershme, për dënimin e politikanëve, zyrtarëve dhe kujtdo tjetër të përfshirë në krime elektorale, për funksionimin e organeve të drejtësisë, veçanërisht Gjykatës Kushtetuese, për gjykim pa vonesë të ligjshmërisë e 30 Qershorit, si dhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Rezoluta shpreh keqardhje për mungesën e vullnetit politik nga PS për një reform konsensuale zgjedhore dhe në contrast me këtë, shpreh mbështetjen e Unionit Ndërkombëtar Demokrat për përpjekjet e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj për zgjidhjen e krizës politike dhe përmbushjen e aspiratave euroatlantike të qytetarëve shqiptarë.

Unioni Ndërkombëtar Demokrat u themelua 36 vjet më parë nga politikanët më të njohur të kohës, kancelari gjerman Helmut Kohl, kryeministrja britanike Margaret Thatcher, presidenti i mëvonshëm i Francës, Jacques Chirac, si dhe mori pjesë zëvendës Presidenti amerikan i kohës, George Bush, duke qenë se pjesë e rëndësishme e organizatës është edhe Partia Republikane në SHBA.

Rezolutë e Unionit Ndërkombëtar Demokrat IDU,
Miratuar në Takimin Ekzekutiv
6 Dhjetor 2019
Washington DC

• Duke mbajtur në konsideratë konkluzionet për Shqipërinë të Këshillit Evropian mbajtur në 17-18 Tetor 2019 dhe Raportin e OSBE/ODIHR në 5 Shtator 2019
• Duke mbajtur në konsideratë faktin që Shqipëria është duke u përballur me një krizë të thellë politike, me largimin e popullsisë nga vendi dhe me rënien e ekonomisë,
• Duke mbajtur në konsideratë faktin se zgjedhjet e 30 Qershorit u mbajtën pa marrë parasysh interesat e zgjedhësve dhe u zhvilluan në sfondin e një situate krize politike dhe institucionale,
• Duke njohur angazhimin e vendosur dhe të palëkundur të Partisë Demokratike të Shqipërisë në mbështetje të procesit të Integrimit Europian të Shqipërisë;
• Në mbështetje të angazhimit të Bashkimit Europian për procesin e zgjerimit, bazuar në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit nga vendet aplikante;
• Duke theksuar rëndësinë e procesit të integrimit si një katalizator i reformave, dhe duke vlerësuar mbështetjen që gëzon ky proces nga qytetarët shqiptarë;

Unioni Ndërkombëtar Demokrat:

1. I bën thirrje partisë qeverisëse dhe opozitës në Shqipëri të ndërmarrin çdo përpjekje për ta tejkaluar në mënyrë të menjëhershme këtë krizë të thellë politike nëpërmjet dialogut politik.
2. Shpreh keqardhje për mungesën e vullnetit politik nga partia qeverisëse për të arritur progres në draftimin dhe miratimin me konsensus nga partitë politike të reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR.
3. Duke theksuar thirrjen e përsëritur nga OSBE/ODIHR të rëndësisë që ka vullneti politik për të zbatuar plotësisht standartet e kërkuara për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, bën thirrje për zbatimin e reformës zgjedhore në dobi të demokracisë shqiptare dhe të funksionimit të institucioneve demokratike në nivel qendror dhe vendor.
4. Shpreh nevojën urgjente që Shqipëria të sigurojë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe strukturat e specializuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; bën thirrje për një vendim përfundimtar të shpejtë të Gjykatës Kushtetuese mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 Qershorit të vitit 2019.
5. Thekson se aktiviteti i blerjes së votës dhe përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje është e papranueshme për standartet Europiane dhe bën thirrje për rezultate të prekshme në kohë të afërt dhe procedim penal të suksesshëm të të gjithë fajtorëve përfshirë politikanët, zyrtarët dhe bandat kriminale të përfshirë në vjedhje votash dhe krime të tjera elektorale gjatë zgjedhjeve.
6. Shpreh shqetësim të thellë përsa i përket fenomenit të përsëritur të kandidimit të njerëzve me rekorde kriminale apo zgjedhjes së tyre në funksione publike në shkelje të hapur të “Ligjit të Dekriminalizimit” dhe bën thirrje për zbatim të shpejtë dhe pa mëdyshje të ligjit dhe largimin nga funksioni të gjithë shkelësve të tij.
7. Vëren më shqetësim faktin se Shqipëria konsiderohet bazë operacionale e rrjeteve të krimit të organizuar si dhe po përballet me korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisjes; shpreh nevojën urgjente të Shqipërisë të përfundojë hetimet, procedimin dhe dënimin për rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar; thekson nevojën për rezultate solide në luftën kundër kultivimit masiv dhe trafikimit të kanabisit dhe luftën kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave; nisjen dhe përfundimin e procedimeve të gjithë fajtorëve përfshirë politikanët dhe zyrtarët e lartë.
8. Mbështet plotësisht Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe aleatët e saj në përpjekjet e tyre për të zgjidhur krizën politike, si dhe angazhimin e tyre të palëkundur në përmbushje të aspiratave Euro-Atlantike të qytetarëve të Shqipërisë.

Inva Mula: Fillimi i një aksioni humanitar deri më 31 dhjetor

Voal – Sopranoja e njohur shqiptare Inva Mula organizon mbrëmjen humanitare pas goditjes së fundit të tërmetit në Shqipëri, më 8 dhjetor, në sallën e koncerteve në Katedralen e Kishës Ortodokse në Tiranë.

Ftesës së sopranos i janë bashkuar 50 artistë nga fusha e muzikës dhe aktorë të shumtë të cilët përmes kësaj mbrëmjeje do solidarizohen për të mbledhur fonde në ndihmë të prekurve nga tërmeti.

Gjatë një konference për shtyp të organizuar sot në Qendrën Kulturore në Katedralen e Kishës Ortodokse në Tiranë, sopranoja Inva Mula u shpreh se,” tërmeti na preku shumë thellë dhe ajo që ne sot kemi për detyrë është që të mos jemi indiferent në radhë të parë”. “Kjo mbrëmje bamirësie del nga zemra e neve si artistë. Ky publiku që na admiron ka nevojë të shikojë që ne si artistë jemi pranë jo vetëm me fjalë po konkretisht”, tha ajo.

Mula tha se, “ky nuk është një koncert, por një mbrëmje humanitare ku secili nga ne të përcjellë një mesazh dhe ne të arrijmë të prekim aty ku mundemi dhe me ndihma të vogla për të arritur diçka të madhe”.

“Unë e pata këtë si një domosdoshmëri të cilën e ndava me miqtë e mi dhe në asnjë moment nuk ndjeva hezitim, po përkundrazi, 50 artistët dhanë direkt mbështetjen e tyre për këtë kauzë. Ky do jetë fillimi i një aksioni humanitar pasi ne ditën e diel, këtu, fillojmë një maratonë të gjithë zhanreve artistike”, tha ajo.

Në këtë mbrëmje bamirësie do performojnë artistë të ndryshëm: Eranda Libohova, Irma Libohova, Aurela Gaçe, Jonida Maliqi. Gjithashtu, do të ketë dhe këngëtarë të muzikës klasike, Eva Golemi, Vikena Kamenica, pra do jetë një ndërthurje mjaft interesante që nga muzika e lehtë, deri te klasikja.

Gjithashtu shumë aktorë janë kontribues të këtij aksioni si, Zamira Kita, Mirush Kabashi, Eva Alikaj e shumë të tjerë.

“Kjo do jetë një lëvizje e hapur në muajin dhjetor, që përkon dhe me muajin e festave dhe ne do ta lëmë të hapur si nismë deri më datë 31 dhjetor. Në datën 31 dhjetor do arrijmë në konkluzionin që kjo ndihmë që është mbledhur, ky kontribut i artistëve do shkojë aty ku ka nevojë. Po do të dëshironim që kontributi i artistëve të ndërtonte një shkollë, të shkojë tek fëmijët, pra të shkojë atje ku ka nevojë më shumë dhe ku banorët janë më të dëmtuar”, tha Mula. /j.p/ATSH

 

 

Nxirret nga gremina Bledar Beluli i RENEA-s

Pas orësh në pritje dhe dhimbje, efektivi i forcave speciale RENEA Bledar Beluli është nxjerrë nga gremina në malin e Zorgjit në Dukagjin.

Një helikopter i ka shkuar në ndihmë oficerit, i cili ra nga një lartësi prej 200 metrash sipas një banori të zonës.

Në terren kanë ndërhyrë kolegë të tij të forcave RENEA si dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë (FNSH).

Beluli u rrëzua aksidentalisht këtë mëngjes të hëne teksa kishte dalë në zonë për alpinizëm në Theth. I riu ka pësuar dëme serioze, përfshi këtu fraktura në duar, brinjë dhe pjesën e legenit.

Banorët e zonës ishin të parët që i erdhën në ndihmë.

Firmosi ‘arrest shtëpie’ për ish-ministrin Tahiri, jep dorëheqjen gjyqtarja e Krimeve të Rënda

Gjyqtarja e Krimeve të Rënda Liljana Baku është dorëhequr nga detyra. Ajo ka parasqitur dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor më 2 dhjetor, raporton gazetarja Klodiana Lala për ‘BalkanWeb’.

Po ashtu mësohet se gjyqtarja Baku ka dhënë dorëheqje nga detyra për arsye personale.

“Do angazhohem në biznes privat”, mësohet të ketë thënë Baku pas vendimit të saj për t’u larguar nga radhët e sistemit të drejtësisë.

Kujtojmë se Liljana Baku ishte gjyqtarja që firmosi vendimin për masën ‘arrest shtëpie’ për ish-ministrin Saimir Tahiri, i cili u akuzua për trafik droge.

Shqipëria bojkoton ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj ka njoftuar se Shqipëria do të bojkotojë ceremoninë e ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi për lauretatin e këtij viti, Peter Handke.

Kjo ceremoni do të mbahet më 10 dhjetor në Stokholm.

Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, Cakaj ka thënë se ky vendim është marrë në përputhje me reagimin paraprak të këtij shteti për çmimin e ndarë për Handken.

“Arsyetimi i mizorive të luftës gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë nuk duhet të shpërblehet”, ka thënë mes tjerash ai.

Ditë më parë edhe edhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se as Kosova nuk do të jetë pjesë e kësaj ceremonie.

Ndarja e Çmimit Nobel për shkrimtarin Handke ka shkaktuar zemërim në Ballkan dhe më gjerë, për shkak se ai kishte mbështetur zëshëm ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq gjatë luftërave në ish-Jugosllavi në vitet 1990.

Akademia e Shkencave të Kosovës ka kërkuar që të anulohet Nobeli për Handken.

Dalin pamjet nga vendi ku është rrëzuar Bledar Beluli i RENEA-s, ka thyer duart e brinjë. Në rrezik për jetën, ja ç’po ndodh aty

Nëse nuk dërgohet një helikopter Bledar Beluli i forcave speciale rrezikon seriozisht jetën.

Efektivi i RENEA-s Bledar Beluli i cili është rrëzuar në Theth të Dukagjinit ndodhet në një gjendje të rëndë shëndetësore. Mësohet se efektivi ka thyer duart dhe brinjët ndërsa mendohet se ka dëmtime edhe në pjesën e legenit dhe është në një situatë të vështirë.

E vetmja mundësi raportojnë banorët që ndodhen në vendngjarje për ta shpëtuar është vetëm përmes helikopterit, në të kundërt jeta e tij është në rrezik.

Efektivi Beluli është rrëzuar që në orën 7:30 të mëngjesit dhe pavarësisht informacionit për rrëzimin e tij strukturat shtetërore po veprojnë me shumë ngadalësi ndërsa jeta e tij është në rrezik, raporton korespondenti i Panorama.

Një grup i FNSH Shkodër janë nisur drejt vendit të ngjarjes ndërsa aty ndodhen edhe disa banorë por është e pamundur që efektivi i rrëzuar të nxirret fizikisht.

Ai ka rënë rreth 100 metër poshtë një shkëmbi në një terren tejet të thepisur që nuk lejon ecjen në këmbë dhe asnjë lloj veprimi tjetër.

E vetmja mundësi për t’u ulur aty është përmes konopëve ndaj kërkohet vetëm ardhja e helikopterit për ta shpëtuar nga ajri duke ulur barrelën me litar që kanë helikopterët dhe me ndihmën e banorëve në të kundërt çdo formë tjetër rrezikon jetën e tij. Temperaturat atje ku është rrëzuar janë të ulëta ndërsa banorët kanë ndezur një zjarr fillimisht por zjarri është fikur dhe i plagosuri vazhdon që të jetë në mes të ftohtit dhe me shumë dëme në trupin e tij. Përveç banorëve që po bëjnë maksimumin, strukturat shtetërore nuk kanë asnjë angazhim serioz ndryshe nga herët e tjera kur janë rrëzuar shtetas të huaj ku angazhimi ka qenë maksimal.

“Merrni në dorë fatin e atdheut”, Meta kujton ‘8 Dhjetorin’ me këtë video-mesazh për tërmetin tragjik (video)

Presidenti Ilir Meta kujton përmes një postimi në “Facebook” 29-vjetorin e Lëvizjes Studentore, që ia doli të rrëzojë regjimin komunist.

Në mesazhin e tij, Meta e përqendron të gjithë vëmendjen te tërmeti tragjik i 26 nëntorit, teksa shkruan se mijëra të rinj e të reja të organizuar vullnetarisht brenda dhe jashtë vendit po udhëheqin kauzën e solidaritetit për banorët e prekur rëndë nga tërmeti.

Teksa sot shënohet pikërisht 8 dhjetori, Kreu i Shtetit iu kujton këtyre të rinjve marshimin studentor të 29 viteve më parë, duke iu bërë thirrje të marrin në dorë fatin e atdheut.

Mesazhi i Metës:
Me mijëra të reja e të rinj shqiptarë, të organizuar vullnetarisht brenda e jashtë vendit që në momentet e para të tërmetit tragjik të 26 nëntorit, po udhëheqin kauzën e solidaritetit për banorët e prekur rëndë nga kjo fatkeqësi natyrore e pabesë që goditi vendin. Përpjekjet e tyre të palodhura për mbledhjen e ndihmave materiale, fondeve dhe shërbimeve që po i ofrojnë komunitetit ditë-natë, janë sa emocionuese, po aq frymëzuese, dhe shembulli më konkret i Shqipërisë njerëzore për të cilën kemi nevojë më shumë se kurrë.

Ndaj sot me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, dua të falënderoj me mirënjohje të thellë, emër për emër, çdo vajzë e djalë, që shërben si vullnetar në shërbim të komunitetit. Jeni të mrekullueshëm dhe të jashtëzakonshëm!

Ju inkurajoj dhe ju mbështes, që në shembullin e të rinjve dhe të rejave, të cilët 29 vite më parë vërshuan në rrugët e sheshet e Tiranës për ta ndarë Shqipërinë nga errësira dhe izolimi, të merrni në dorë, falë shpirtit të lirë, energjisë, guximit, kurajos dhe idealeve të pastra, fatet e atdheut tonë, duke udhëhequr proceset demokratike për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurtë dhe europianizmit të plotë të Shqipërisë. Nderim përjetë veprës së liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdarit dhe të gjithë studentëve të Dhjetorit ’90! “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” 🇦🇱 Demokracia nuk negociohet, por vetëm mbrohet dhe me çdo çmim! 🇦🇱

Njihuni me “Lagjen e hajdutëve të politikës”, blloku i 122 vilave të bardha, blerë me miliarda “të zeza”

Vetëm 4 kilometra larg Tiranës në Petrelë, pasanikët e bërë të tillë me lekë krimi e korrupsioni shtetëror dhe lidhjeve me botën e mafies, kanë krijuar një bllok banimi me vila luksi, ku janë bashkuar e jetojnë pa pikë morali, agallarët dhe shërbestarët e tyre, të çdo lloji, ngjyre politike e mëkatesh.

Janë 122 vila të bardha, me sipërfaqe nga 350 m2, në mbi 600 m2, të blera me miliarda të zeza, prej deputetësh, ministrash, ambasadorësh, moderatorësh televizivë, opinionistë të medias, dashnore shtetarësh, prokurorë, gjyqtarë, krye-doganierë e krye-tatimorë, kryepolicë, kriminelë, trafikantë dro ge, arm ësh e femrash.

Ky bllok banimi, me sipërfaqe 226 mijë m2, nga të cilat 79 mijë m2 janë vila, është pagëzuar me emrin “Lagja e hajdutëve të politikës” dhe me plotë të drejtë, mbasi çmimi më i ulët i një vile është 500 mijë euro.

Mustafa Nano: Zviceranët duhet të jenë të marrë nëse i japin të drejtën e azilit politik Agron Tufës

Prej kohësh publicisti Agron Tufa pretendon se është kërcënuar me jetë ai dhe familja e tij, kjo për shkak të pozicionit si drejtor në Institutin për Krimet e Komunizmit.

 

Kjo e bëri Tufën që të largohej për të kërkuar azil politik jashtë vendit, ku aktualisht ndodhet në Zvicër.

Mbrëmë, në emisionin “Provokacja”, në abc Neës, drejtuesi Mustafa Nano monologun e tij ia kushtoi largimit të Tufës.

“Agron Tufa ka kërkuar azil politik në Zvicër sepse është kërcënuar nga ish- sigurimi i shtetit dhe nga komunistët që sot janë në pushtet. Kjo është një gjepur. Siç është gjepur edhe pretendimi se Haxhi Baxhinozi ish i përndjekur është vrarë nga po ata njerëz që e burgosën nga ish- sigurimsat dhe enveristë. E theksoj është një gjepur. Në Shqipëri ka enveristë, edhe në Parlament gjithashtu. Spartak Braho është një enverist gjë që duket edhe nga shprehje të tipit “edhe në vrimë të miut do të gjejmë dhe do të çojmë para gjyqit”. Të dalë sot një si Spartak Braho të përbuzë Mid’hat Frashërin kjo është të marrësh malet. Komunistë ka, por nuk kanë asnjë pushtet real edhe kur janë deputetë apo zyrtarë, këta kanë çelësat e kashtës. Ideja se në Shqipërinë e vitit 2020 komunistët në pushtet po vijojnë të përndjekin ish të përndjekurit është një narrativë idiotike që duhet të na bëjë për të qeshur.

Madje edhe kërkesa e Tufës për azil duhet të na bëjë për të qeshur”, tha ndër të tjera Nano.

Më tej Nano thotë se Tufa mund të jetë kërcënuar, por të gjithë ata që mbajnë qëndrime të forta marrin kërcënime sepse psikopatë ka kudo, shprehet ai.

Gjatë monologut të tij Nano kujton kërcënimet që ka marrë edhe kandidati i partisë BREXit, por ai nuk kërkoi azil politik madje kërkoi mbrojtjen e policisë. Të njëjtën gjë sipas tij duhet të kishte bërë edhe Agron Tufa sepse në Shqipëri janë të shumtë personat që marrin kërcënime, por nuk bëjnë viktimën.

“Zviceranët duhet të jenë të marrë nëse ia japin te drejtën e azilit politik”, kështu e mbyll Nano monologun e tij. Panorama

“I kam gjithë emrat të regjistruar”, inxhinieri që ishte edhe nënkryeministër tregon fajtorët e tragjedisë

Inxhinieri Bashkim Kopliku ka treguar sipas tij fajtorët që ndikuan në tragjedinë e madhe të tërmetit.

Kopliku në emisionin “Provokacija” të Mustafa Nanos u shpreh se fajtor i gjithë kësaj “jemi ne populli shqiptar”, por edhe drejtësia që ka bërë punën e saj me lejet e ndërtimeve, duke mos lënë pas gjyqtarët për të cilat tha se i janë ankuar banorët këto ditë.

Inxhinieri theksoi se i ka të gjithë emrat e fajtorëve të ruajtura në kompjuterin e tij.

Fajtori i asaj që ndodhi jemi ne populli shqiptar, pikë. Ne popolli shqiptar e kemi bërë kështu punën që të vdesim për fajin tonë, për fajin e shqiptarëve.  Jo çdo shqiptar është fajtor, ka klasifikime të ndryshme. Unë nxjerr fajtor kryesorë drejtësinë. Edhe ne jemi pjesë e saj. Unë nuk pushoj së qenuri zv.kryeministër i këtij vendi dhe megjithatë kam dështuar, akoma ajo shtëpi është kandidat për tu bërë nga 6 kate në i rrafshuar, dhe shtëpisë time mund t’i ndodhë kjo. Kush do që pas këtij emisioni të bëjë dava me mua i kam të gjithë emrat e fajtorëve të regjistruar dhe janë në kompjuterin tim, por janë edhe në kompjuterin e një tjetri që po më humbi të mbesin. Ata gjyqtarë që janë me emër dhe mbiemër dhe janë fajtorë. Për ata e kanë me të thënë më kanë thënë banorë dje”, tha Kopliku, teksa shtoi se ka ndikuar edhe cilësia e ndërtimeve.

Po ashtu inxhinieri më herët u shpreh se tërmeti i Shkodrës i vitit 1979 ishte më i fortë se ai i 26 nëntorit, ndërsa hedh poshtë pretendimet se media krijoi panik.

Në rastin konkret paniku nuk është krijuar nga mediat. Mediat për herë të parë, unë që jam kritikues, në këtë rast nuk i kritikoj. Paniku është krijuar nga ngjarjet skandaloze që kanë ndodhur. Një tërmet fare fare i parëndësishëm, është një tendencë kolektive sidomos i fajtorëve për ta bërë të hatashëm gjë që s’ka ndodhur kurrë. Unë e kam jetuar tërmetin e ’79 mund të të them se pasi ula veten në tokë (asokohe) dhe po shihja pallatin, shtyllat e telefonit me gjithë pallatin tim bënin kështu…nuk ka ndodhur kjo punë tani, nuk ka qenë ky tërmet si ai në Shkodër. Nuk dua ta zgjas magnitudën. Por më mirë të fiksojmë se magnituda ka të bëjë me tërmetin aty ku buron dhe intesiteti ose ballët ka të bëjë me efektin që jep ai tërmet në vendin që diskutojmë”, tha ai. /abcnews.al

Shqipëria merr kryesimin e OSBE-së

Shqipëria mori zyrtarisht presidencën e ardhshme të Osbe-së, organizatës së përbërë nga 57 vende anëtare, të cilën ajo do ta drejtojë përgjatë gjithë vitit 2020.

Kryetar i radhës së OSBE-së do të jetë kryeministri Edi Rama, por këtë herë në cilësinë e tij si ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Ishte ai që mbajti sot dhe fjalën, në mbyllje të ministerialit të organizuar në kryeqytetin e Sllovakisë, vend i cili mbajti presidencën gjatë këtij viti.

Zoti Rama paraqiti në mënyrë të përmbledhur ato që do të jenë përparësitë e kryesimit të Shqipërisë duke nisur që nga respektimi i angazhimeve të vendeve anëtare, te promovimi i punës së OSBE-së më pranë njerëzve dhe të forcimi i dialogut “si e vetmja mënyrë për të ndërtuar beismin te njëri tjetri”, tha ai.

Zoti Rama nuk la për përmendur krizën në Ukrainë, e cila siç u shpreh “mbetet sfida më urgjente e sigurisë në Europë. Është e papranueshme që konfliktet e zgjatura në rajonin e OSBE-së, vazhdojnë të marrin jetë njerëzish. Prandaj përpjekjet për rezoluta të zgjidhjes së konfliktit do të jenë në krye të axhendës për Presidencën Shqiptare”, theksoi ai.

Zoti Rama e mbylli fjalën e tij duke nënvizuar domosdoshmërinë për kompromis e duke i bërë thirrje vendeve anëtare të të angazhohen në mënyrë konstruktive, me mendje të hapur dhe pa harruar se gjithçka bëhet për njerëzit, theksoi ai. zëri i amerikës

Laç, pallatet e dëmtuara nga tërmeti të ndërtuara jashtë kushteve teknike (video)

Pëllumb Sulo

Laçi është një nga qytetet më të goditura në Shqipëri nga tërmeti i 26 nëntorit. I ndërtuar rreth 50 vite më parë si një qytet i punëtorëve të uzinës së superfosfatit, Laçi përbëhet nga një numër i madh banesash kolektive 4 dhe 5 katëshe. Grupet e inspektimit, që po kontrollojnë gjendjen e pallateve, tashmë kanë përcaktuar si të pabanueshme 44 prej tyre, por inspektimi ende vazhdon duke rritur numrin e banesave që pritet të shemben për shkak të rrezikshmërisë së lartë për jetën e banorëve.

Gjovalin Voci, një punëtor ndërtimi, banues në pallatin 126 në qytetin e Laçit, thotë se është njoftuar nga bashkia për të lënë banesën pasi ajo do të shembet. Edhe ai, ashtu si banorët e tjerë të pallatit, po përpiqet të shpëtojë një pjesë të orendive përpara se pallati të braktiset. Gjovalini thotë se pallatet janë ndërtuar pa asnjë kusht teknik dhe në një zonë që më parë ishte kënetë.

“Kjo është ndërtu rreth viteve 1986,1987 dhe këtu ka qenë një vend kënetë, vend grumbullimi mbeturinash. Ndërtimet janë pa asnjë lloj kriteri. Unë jam marrë me ndërtim, kam punu në Itali 8 vjet dhe kam punu 20 vjet për këtë ndërtesë, por ky ndërtim është totalisht jashtë parametrave se është pa arkitra, pa kolona, pa asnjë lloj lidhje. Është çarë muri, është bërë fare jashtë parametrave.”

Inxhinieri Vlash Gega, me një përvojë të gjatë në fushën e ndërtimit, thotë se kur janë ndërtuar këto pallate nuk është parashikuar që të përballojnë tërmete si ai i 26 nëntorit.

“Në përgjithësi, rreziku më i madh është tek banesat shumëkatëshe, ose kolektive, të ndërtuara para viteve ’90, që kanë probleme serioze që në projektimin e tyre, sepse nuk janë parashiku kondicionet sizmike të kësaj kohe. Po e themi hapur se zona e Kurbinit është me rrezik të lartë nga goditjet sizmike. Ndërkohë që ndëtesat, në kohën kur janë ndërtuar, nuk janë parashikuar situata në të cilën ndodhemi sot.”

Edhe pallatet e Thumanës, që u shkërmoqën nga tërmeti i 26 nëntorit duke marrë jetët e 24 banorëve, janë ndërtuar në vitet e fundit të periudhës së komunizmit, në territorin e ish-kënetës së Thumanës.

Inxhinieri Gega thotë se ndërtesat kolektive në qytetin e Laçit i përkasin periudhës së komunizimit, para vitit 1990, ndërsa pas kësaj periudhe në Laç janë ndërtuar vetëm tre ndërtesa të larta, të cilat, sipas ekspertëve, nuk kanë pësuar dëmtime. Ndërkohë, përveç qytetit të Laçit, dëmtime serioze janë rregjistruar edhe në zona të tjera të Bashkisë Kurbin.

“Në shtator në fakt, goditja më e madhe dhe rreziku ka qenë te ndërtesat e vjetra të ndërtuara para vitit ’90, kryesisht të mbuluara me çati me konstruksione druri, pa breza antisizmik, por kësaj rradhe, goditja ishte më e madhe dhe kryesisht janë shumë të rrezikuara ndërtesat e larta, katër dhe pesë katëshe. Por, në zonën e Mamurrasit, të Laçit, por edhe të Milotit ka dëmtime serioze dhe komisionet do vazhdojnë verifikimin dhe do të shpallin shumë ndërtesa të pabanueshme.”

Pas shembjes së kontrolluar të pallateve të dëmtuara nga tërmeti, në Laç pritet të ndërtohet një lagje e re për banorët që humbën banesat. Ekspertët që po verifikojnë gjendjen pas tërmetit thonë se është e rëndësishme të ruhen parametrat teknikë përballë emergjencës për të strehuar banorët.

Tërmeti, kryeprokurori Çela: Hetim me rezultate konkrete

Në Shqipëri, Prokurori i ri i Përgjithsëm Olsian Çela kërkoi sot rezultatet konkrete nga hetimet e nisura lidhur me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 Nëntorit, në një numër të madh banesash në Tiranë, Durrës e Thumanë. Ai e preku këtë çështje gjatë prezantimit të tij sot në marrjen e detyrës, një ditë pasi u zgjodh nga parlamentit.

“Sot ndodhemi në një fazë të vështirë, vendi po përballet me një krizë shumë të madhe për shkak të ngjarjeve që ndodhen në fund të nëntorit. Besoj se përgjigja që prokuroria duhet të japë në rastin konkret duhet të spikasë në raport me atë që po bëjnë dhe institucionet, pasi njerëzit kërkojnë drejtësi, që më në fund në këtë vend të bëhen gjëra konkrete”, tha ai.

Sipas zotit Çela “pavarësisht se vjen nga një fatkeqësi shumë e madhe, është një rast kur ne duhet të tregojmë se jemi në lartësinë e asaj që pret vendi dhe njerëzit presin nga ne. Kjo kërkon një angazhim maksimal. Jam i bindur se do të gjejmë të gjithë mekanizmat dhe format e duhura, për të arritur atë çfarë duhet”.

Janë mbi 10 mijë shtëpi dhe pallatet e prekura, ndërsa mbi 1100 janë rrënuar. Nga inspektimet e bëra në mbi 5100 ndërtesa vetëm në Durrës, Shijak dhe Krujë, 2200 shtëpi dhe pallate janë të pabanueshme ndërsa mbi 320 prej tyre duhet të shemben.

Prokuroria ka nisur hetimet pak ditë pas tërmetit, në Durrës, Tiranë dhe Thumanë. Sipas njoftimeve zyrtare, pjesë e hetimeve të cilat kanë nisur për veprat penale “Shpërdorim Detyre”, “Ndërtim pa leje” dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim pa leje”, janë lejet e ndërtimit të lëshuara nga autoritetet vendore, zbatimi i tyre nga ndërtuesit, si dhe rastet e ndërtimeve abuzive dhe mungesa e ndërhyrjes së autoriteteve përgjegjëse. Prokuroria ka sqaruar se “është bërë kqyrja në vend ku janë konstatuar prishje dhe dëmtime të objekteve. Sipas parashikimeve ligjore kqyrjet janë shoqëruar dhe me fotografi dhe marrjen e provave të domosdoshme në vendngjarje për verifikimet e duhura që do të bëhen më pas. Duke parë rrezikshmërinë që paraqesin objektet e dëmtuara dhe shpejtësinë që duhet për evitimin e pasojave të tjera, nuk mund të bëhet sekuestrimi i këtyre objekteve, është çmuar që pas kryerjes së veprimeve proceduriale në vendngjarje, grupi hetimor, të jetë të lirë për të vendosur për vijimësinë e objektit nga instancat përkatëse sipas çdo rasti. Njëkohësisht vazhdon dhe sekuestrimi i dokumentacionit përkatës për këto objekte në zyrat që i administrojnë ato”, saktësoi njoftimi. zëri i amerikës

“Vdekje e paralajmëruar”, Berisha me akuzë të fortë: Viktimat e Thumanës, vrasje shtetërore

Viktimat e Thumanes dhe disa nga te Durresit mund te ishin te gjalle!
Ato jane vrasje shteterore, pa dashje apo pa qellim dhe duhet te trajtohen te tilla.

Te dashur miq, termeti i 26 nentorit u parapri nga nje termet prej 5,6 te shkalles richter me qender ne te njejten zone dhe thellesi. Termeti i 22 shtatorit u shoqerua me demtim te shkalleve te ndryshme te 1528 objekteve, shkaterroi plotesisht 50 banesa dhe demtoi dukshem 160 pallate etj etj ne Durres, Kruje dhe Tirane.

Nder ndertesat e demtuara ne menyre serioze dhe qe ishin raportuar si te pabanueshme nga banoret e tyre ishin edhe dy pallatet qe i moren jeten 22 banorve nen rrenojat e tyre por me siguri edhe te pallateve dhe banesave ne Durres.

Ne rast se autoritetet zyrtare qe inspektuan keto pallate ne Thumane dhe Durres nuk do te nenvleftesonin demtimin ne strukture, te shkaktuar nga termeti, banoret me detyrim do te ishin zhvendosur ne vendsterhime te tjera dhe do te ishin gjalle sot. Pra ata de fakto vertet vdiqen nga termeti i 26 nentorit por kjo ishte nje vdekje e paralajmeruar per sa kohe nuk u larguan forcerisht nga pallatet e tyre te bera te pabanueshme me 22 shtator. Per rrjedhoje kemi te bejme me nje vrasje shteterore, natyrisht jo e qellimte por detyrimi i shtetit ndaj familjeve te ketyre viktimave ka rregulla te tjera dhe eshte demshperblim i plote sikunder pergjegjesia e atyre qe u treguan indiferent ne detyre ne rastin konkret eshte personale dhe direkte.

Pikerisht per te fshehur gjurmet, provat e ketij krimi shteteror Edvin Mafia emeroi Çuçin e tij, ministrin e Familjes shef te gjendjes se jashtezakonshme nje rast unik ne historine e botes qe nje minister bujqesie emerohet ne nje detyre te tille. Ky i fundit, ne misionin e tij familjar, ne nje akt te paster kriminal oret e para te dites se pare te punes shembi ne kundershtim flagrant me ligjin dy pallatet prova te gjalla te krimit shteteror ne Thumane dhe pallatin nen hetim ne Durres etj etj. Nderkohe shpresat per nje hetim te ndershem me Edvinin, krye kreu i meduzes, jane zero.

Ndaj duke denuar me ashpersine me te madhe qendrimin kriminal ndaj pasojave te termetit te 22 shtatorit 2019 dhe veprimet kriminale te zhdukjes se proave te krimit nga Edvin Mafia dhe Çuçi i tij dhe duke patur parasysh faktin se mafia veten nuk e heton kurre, bej thirrje per nje hetim te ndershem te pavarur nderkombetar te ketij krimi te shemtuar qe kushtoi dhjetra jete dhe qe rendon e do rendoje ne ndergjegjen e çdo shqitari. sb

Midis humanizmit dhe barbarisë – Çfarë fitimesh do të kenë tani disa kompani ndërtimi!!! – Nga Artan Fuga

 

Midis humanizmit dhe barbarisë

Çfarë fitimesh do të kenë tani disa kompani ndërtimi!!!

Dy gjera i pengonin.

E para: Njerëzit nuk kishin lekë për të blerë apartamentet e ndërtuara dhe e dyta nuk kishte hapësira të mjeftueshme ndërtimi.

Tani vuuuuuu!

Tërmeti e zgjidhi problemin.

Industrisë të ndërtimit i doli fati!

Lekët erdhën dhe do të vijnë nga kontributet speciale, nga buxheti, nga ndihmat, etj.

Spastrimin e ndërtesave të vjetra e bëri tërmeti.

Sa të negociohej me banorët jo ashtu jo kështu, jo dalim jo nuk dalim, jo ku do të strehohen jo ku nuk do të strehohen banorët nëse në vend të të të vjetrave bëhen ndërtesa të reja, tërmeti e zgjidhi problemin me një të rënë të dorës!!!

Faaaap! Hapi pa fund terrene.

Hajde tërrrrrmet hajde!

Tani mjafton një krisje në pallat, vuuup hidhet në erë dhe hapen vende plot për ndërtim.

Nuk doniiiiii? Mirë po kini mendjen se do t’u zejë brenda dhe ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi pastaj!

Jo mos prishja, por prishja e ndërtesave është politika e duhur! – Do të thoshte ndonjë skile e zgjuar! Edhe në Lezhë madje ku u bë debati në rrugë!!!

Fatkeqësia për disa është fatmirësi në drejtime të tjera për të tjerë!

Po mos shkaktoheshin të vrarë?!

Për disa tërmetet do të ishin bekim i Zotit për biznes!

Ndërto, prishu, përsëri ndërto përsëri! Ohoho! Mrekulli. Gjithë kanceri i industrisë është se e ngop konsumatorin dhe i prish tregun vetvetes. Me tërmetin edhe kjo u zgjidh. Konsumatori është tani gjithmonë i uritur.

A nuk i dha hov të paparë ekonomisë shkatërrimi në Europë gjatë Luftës së dytë botërore?

Shkatërrimi është krijues – thotë dikush!

Ca kohë në hotele me pesë yje banorët dhe ec përpara!

Na doli fati edhe neve të industrisë hoteliere. Nuk kishim turistë gjatë dimrit. Tërmeti na i solli. Bëjmë edhe ne pak derman.

E kthejnë fatkeqësinë në forcë! – sipas sloganit të vjetër komunist!

Shqiptari më i fortë se tërmetet!

Puna është se ne na duhet një model tjetër urban! Nuk duhet të përsërisim të njejtat gabime duke ndërtuar qendra urbane të superpopulluara. Po na vdes qyteti i bllokuar. Po na merr frymën! Po na kancerigjon! Po biem cip më cip mbi njeri tjetrin.

E eeee mirë , fol ti fol!

Ne gjetëm për 20 vjetët e ardhshëm truaje të reja për ndërtim!

Atje ku ishin zënë tashmë. Atje do të ndêrtojmë përsëri, ose pak më tutje.

Ajo që ishte kanceri i industrisë të ndërtimit dhe i pushtetit lokal, ajo që po e mbështillte lakun në fyt ekonomisë u zgjidh.

E zgjidhi tërmeti!

Ritmet e rritjes ekonomike do të shkojnë për tre ose katër vite në stratosferë, fitimet e industrisë së ndërtimit gjithashtu, pushteti lokal do të bëjë qejf me terrenet për ndërtim.

Dhe mbi të gjitha : E gjitha kjo do të vishet me një vello humanitare: Po zhdukim pasojat e tërmetit të 26 nëndorit 2018!

Po mos ishin të vrarët?!

Dyshoj se poshtë jorganeve disa ndoshta do të fërkonin duart: Rrofsh moj natyrë! Rrofsh o Zot! Rrofsh o tërmet!

Edhe ligjin e gjendjes së katastrofave, gjendje e jashtëzakonshme e mbajmë nja njëzet vjet!

Edhe zgjedhje nuk bëjmë më derisa të zhduken aty nga viti 2050 pasojat e tërmetit!

Gjendje e jashtëzakonshme! Fitime të jashtëzakonshme! Rritme të jashtëzakonshme rritjeje ekonomike!

Na ktheve shpresën !

Por drama është se nëse sot u vramë në 50 nga ne, në rast të një tërmeti tjetër, poqese vazhdojmë kështu, me këtë model urban, pa bërë korrigjimet e duhura mund të kemi kushedi sa herë më shumë viktima. Mund edhe të mos kemi, por gjithë jetën do të jetojmë me frikën se komshinjtë do të na bien mbi kokë ose ne do të biem mbi kokën e komshinjve. Frika nga një vdekje makabre do të na qendrojë gjithë ditën në nën-ndërgjegje.

Kushedi sa herë do të vritemi gjatë jetës sonë të gjatë nëse nuk vemë mend nga budallalliqet që kemi bërë ose kanë bërë mbi kokat tona.

Nuk na duhen modele urbane që na mbajnë si në gjendje lufte!

Prandaj t’i vemë gishtin kokës!

Ne qytetarët apo ekonomia e ndërtimit?

Zgjedhja është e qartë, ne jetojmë në qytetet që ndërtojnë ata, kurse ata nuk jetojnë në qytetet që ata ndërtojnë për ne!

Shembet Godina 15 në Qytetin Studenti, drejt rrëzimit edhe dy të tjera

Pasi Këshilli Bashkiak i Tiranës pranoi akt-konstatimin e Institutit të Ndërtimit që e shpalli të pabanueshme Godinën nr.15 në Qytetin Studenti, ka nisur shembja e objetit.

Siç mund ta shihni edhe nga pamjet, Bashkia e Tiranës nisi punën natën për ta hedhur godinën në tokë.

Godina 15 në Qytetin Studenti u shpall e pabanueshme pas tërmetit. Edhe dy godina të tjera do të shemben në Qytetin Studenti, ndërsa kryeministri Edi Rama ka shprehur pëlqimin e tij. Këto godina janë banuar prej familjeve që i paguanin qira shtetit për rreth 30 vjet.

Olsian Çela merr detyrën: Vendi është në rrugën e duhur dhe e ardhmja do të jetë më e mirë

Kryeprokurori i ri i Pergjithshem Olsian Çela u prezantua sot ne Prokurorine e Pergjithshme dhe mori detyren nga paraardhesja ne kete institicion Arta Marku e cila ka qene edhe shoqe e tij e klases, fakt qe e beri te ditur ne fjalen e saj te fundit si kryeprokurore, Marku.

“Ishte një surprizë e bukur se ndoshta është hera e parë që ndodh kalimi nga një prokuror në një tjetër”, tha Çela.

Teksa kishte probleme me mikrofonin dhe mediat i thane se nuk degjohej, kryeprokurori i ri beri edhe nje batute ku tha: “e flluam me probleme”.

Me tej ai premtoi se e ardhmja do jete me e mire teksa tha se tani duhet nje angazhim ndryshe per punen ne prokurori pasi ajo ka pesuar ndryshimet me te medha me reformen ne drejtesi.

“E vlerësoj se sot është më e rëndëishsme se kurrë më parë transparenca që duhet të sigurojmë ndaj medias e publkut si mënyra më e mirë për të rritur besimin e institucioneve tek puna e prokurorise. E falënderoj kryeprokuroren Arta Marku për punën e bërë gjatë këtyre 2 viteve e vlerësoj se e ka bërë në një fazë mjaft të vëshitrë, tranzicioni ku vendi është përballur me probleme të mëdha e delikate. Besoj se ka bërë më të mirën e mundshme në këto kushte.

Tani hyjmë në një fazë të re, ka një konceptim tëresor të shtetit të së drejtës, institucioneve kushtetuese ku prokuroria ka pësuar edher ndryshimet më rrënjësore dhe kërkon një angazhim e konceptim të ri për mënyrën si ky organ do funksionojë. Janë mundësitë dhe mbështetja e kapacitetet për ti dhënë vendit një të ardhme më të mirë, që Shqipëria të bëhet pjesë e famijljes së madhe evropiane ku rezultatet e punës sonë kanë në rëndësi të jashtazakonshme.

Sot ne ndodhemi në një fazë të vështirë, vendi po përballet me një krizë për shkak të ngjarjeve të fundit të muajit nëntor. Përgjigja që prokuroria duhet të japë në rastin konkret duhet të jetë, spikasë në raport me atë që po bëjnë institucionet e tjera, pasi njerëzit kërkojnë drejtësi, dhe gjërat të bëhen konkrete. Është një rast që jemi në lartësinë e asaj që pret vendi dhe njerëzit presin. Do të gjejmë të gjithë mekanizmat për të arritur atë që populli pret në raport me prokurorinë. Cdo gjë nuk shkon vaj, ndryshimet gjithmonë janë pozitive. Vendi është në rrugën e duhur dhe e ardhmja do të jetë më e mirë”.

Agron Tufa kërkon azil në Zvicër, reagon Agron Shehaj: Pasardhësit e komunistëve rikërcënojnë, gjithë populli duhet të jetë me shkrimtarin

Shkrimtari Agron Tufa ka deklaruar pak ditë më parë se ka dhënë dorëheqjen nga detyra si Drejtori ekzekutiv i Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKPK).

Tufa ka lajmëruar se ka dhënë dorëheqjen, ndërsa  ka kërkuar azil politik në Zvicër, pasi ndihet i kërcënuar në Shqipëri. Në lidhje me këtë ngjarje, ka reaguar ish-deputeti demokrat Agron Shehaj.

Shehaj shprehet se fatkeqësisht sot vendi drejtohet nga bijtë e ish-persekutorëve komunistë, të cilët rikërcënojnë.

Postimi i Agron Shehajt:

Asnjë gjakatar, persekutor, dhe udhëheqës komunist nuk u shpall kurrë përgjegjës për ato që bënë në komunizëm.

Por të paktën, sot, duhet të kishin mbyllur gojën dhe të fshiheshin nga vëmendja publike. Jo, ata janë në pushtet! Grabisin, kërcënojnë dhe persekutojnë sërish. Rikërcënojnë, ripersektuojnë, ridënojnë, rivrasin të njejtët shqiptarë që kërcënuan, persekutuan, dënuan dhe vranë dje.

Ç’shoqëri kemi ndërtuar këto tre dekada! Një shoqëri kur kriminelët e djeshëm janë kriminelët e sotëm dhe viktimat e djeshme janë prapë viktimat e sotme. Si mund të jemi kaq të heshtur, kaq të patrazuar kur Agron Tufa persekutohet sërish 30 vjet pas rënies së komunizmit dhe nga të njejtët persona?! Si nuk jemi sot të gjithë në krah të Tufës, qindra mijëra, miliona shqiptarë?

Unë jam me Tufën! Vetëm duke qenë në krah të Tufës mund të shpresojmë në një të ardhme të paqtë, të moralshme, të lirë.

(Balkanweb)

Osmani: Të ndalen fushatat linçuese, presim që LVV të na ftojë në takim

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar pas takimit të parë që kanë mbajtur grupi i ri parlamentar i LDK-së.

 

Osmani ka thënë se në takim është biseduar për procedurat që i presin në legjislaturën e shtatë, transmeton Telegrafi.

“Ka qenë takimi ynë i parë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe vërtetimit për të gjithë deputetët qofshin ata që janë që disa mandate, qoftë për ata që janë për herë të parë është krejtësisht normale që tashmë partitë të mbajnë takime me deputetet e tyre, ne diskutuam për procedurat që na presin tani në kuvendin e ardhshëm, diskutuam natyrisht për sfidat që i presin institucionet e ardhshme”, ka thënë ajo para mediave.

Gjithashtu, Osmani tha se në takim është folur edhe për ecurinë e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Na jemi optimist se në një frymë bashkëpunimi mund të arrijmë një marrëveshje të mirë, një marrëveshje të balancuar. Është më rëndësi  që në një moment historik ku qytetaret kanë dëshmuar se vërtetë dëshirojnë ndryshim, dhe se këtë ndryshime dëshirojnë përmes koalicionit LVV-LDK,  i takon dy partive që të krijojmë një atmosferë ku debati zhvillohet në ambient të respektit reciprok, dhe ky respekt është i domosdoshëm. Po ashtu është e domosdoshme t’i ndalim fushatat linçues, sepse ato nuk i ndihmojnë askujt dhe na largojnë nga një rrugë e rëndësishme e cila duhet të përfundojë me marrëveshje”, ka thënë ajo para mediave, përcjell Telegrafi.

Osmani ka thënë se janë të interesuar për bashkëpunim afatgjatë me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Jemi të interesuar që qeveria të jetë e suksesshme dhe do të jetë e suksesshme nëse ne punojmë bashkë. Besoj se takimi do të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur, por nuk kemi ndonjë datë të saktë. Lëvizja Vetëvendosje si fituese zakonisht i merr iniciativat për takim kështu që presim një ftes të tillë, është e domosdoshme që të krijohet një atmosferë e respektit reciprok dhe të eliminohet çdo fushatë linçuese”, tha ajo.

Ndryshe, LVV dhe LDK kanë zhvilluar disa takime deri tani, ku kanë harmonizuar shumicën e programeve qeverisës. Së fundmi, këto dy parti janë duke zhvilluar takime ku po bisedohet për ndarjen e posteve.

Reportazh i reagimit të parë të shtetit ndaj tërmetit: Falimentimi i qeverisë së luksit dhe fasadave

Në mbrëmjen e datës 25 nëntor, vetëm pak orë para rënies së tërmetit shkatërrues që mori 51 jetë nën gërmadha, Policia e Shtetit demonstroi plot arrogancë një flotë të re makinash luksoze, blerë si bashkëfinancim midis qeverisë shqiptare dhe Komisionit Europian. 50 makina Land Rover Discovery L462, prodhim i vitit të fundit, me kosto minimalisht rreth 50 mijë euro secila, pushtuan Sheshin Nënë Tereza në një shfaqje mburrjeje pa shije të një trupe policore të varfër, por, tani, me makinat më të shtrenjta në kontinent.

Nga të gjitha gjërat e mundshme ku mund të shpenzonin mbi €2,5 milionë të taksapaguesve shqiptarë dhe europianë, qeveria jonë zgjodhi makina luksoze. 21 milionë euro ka harxhuar qeveria shqiptare vetëm për uniforma të forcave të policisë këto pesë vitet e fundit, por nuk ka as një palë veshje të sigurta për punonjësit e kërkim-shpëtimit të emergjencave civile.

Trupat e shpëtimit që filluan kërkimin para mbërritjes së ekipeve të huaja e ekspozuan veten ndaj rreziqeve të mëdha, sepse asnjë trupë— as policia, as ushtria, as zjarrfikësat, as emergjencat civile— nuk kishin veshje për mbrojtje personale— helmeta, doreza, këpucë, veshje trupore, mbrojtëse sysh.Nuk kishin barrela për të transportuar të plagosurit. Në vend të tyre, fillimisht u përdorën batanije, që duke mos qenë të forta rrezikojnë të dëmtojnë. Nuk kishin as personal të trajnuar për mënyrën e ngritjes dhe mbajtjes së trupave të plagosur, të sigurimit në barrelë, të dhënies së ndihmës së parë dhe të transportimit në spital. Nuk kishin as ambulanca të pajisura me mjetet e një ambulance moderne.

Nuk kishte as mjete për të transportuar viktimat—thasë të posaçëm për trupat e viktimave, as barrela.Ekipet e kërkim-shpëtimit, që iu dërguan fatkeqëve, kishin jo vetëm mangësi dramatike të mjeteve minimale, por edhe mungesë aftësish planifikimi dhe organizimi për zhvillimin e operacioneve të tilla.I gjithë personeli ishte dukshëm i patrajnuar si për operacionet e shpëtimit, ashtu edhe për mbajtjen e viktimave dhe dhënien e ndihmës së parë në vend.

Dhe skandali më i madh është se punonjësit dhe mjetet e firmës së ndërtimit Bami shpk dhe të firmës së minierave TETE, dhe jo ekipet e specializuara shtetërore, ishin të parat që u dërguan dhe arritën në gërmadhat në Thumanë.Duket se në qeverinë e zotit Rama kompanitë e ndërtimit ushtrojnë të gjitha funksionet e shtetit. Ari që shkon për klientët po vret kohën e artë të viktimave.“Nëse njerëzit mbeten brenda strukturave të dëmtuara, duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur operacione profesionale kërkim-shpëtimi, duke pasur parasysh se 24-48 orët e para janë “orët e arta”, kohë gjatë së cilës mund të shpëtohen pjesa më e madhe e njerëzve.”

Citimi më sipër është nga Plani i vjetër Kombëtar i Emergjencave. Fatkeqësisht “orët e arta” u konsumuan pa rezultatin e dëshiruar, pasi energjia e qindra njerëzve, që kishin vullnetin dhe dëshirën e mirë për të shpëtuar jetë, u shpenzua kot.Në Thumanë pas tërmetit u dërgua policia, Reparti i Inspektoriatit të Shpëtimit në Miniera (RISHM) dhe kompania private e ndërtimit, Bami shpk. Me ndihmën e një eskavatori, ata dhe disa banorë të zonës nisën të kërkonin për fatkeqët. Por ata nuk kishin staf dhe logjistikë mjekësore të ndihmës së parë, qen kërkues, kamera termike, apo aparate me ultratinguj për pikasjen e lëvizjeve.Në fillim kërkimi u bë duke dëgjuar thirrjet e atyre që ishin zënë poshtë, por pasi kaluan shumë orë dhe thirrjet u zbehën, askush nuk kishte dijeni si të sillej, ku mund dhe ku nuk duhej të vendoste peshë.

Angazhimi për gjetjen e fatkeqëve u bë pa masa paraprake sigurie, pa siguruar perimetrin, pa doreza, kokore apo litarë dhe pa pasur ndriçues dore apo koke.Fatkeqësisht situata nuk ndryshoi shumë edhe pasi në vendngjarje mbërritën forca të ushtrisë, policisë dhe kompanive të tjera private.Momenti kur punonjës të policisë dhe Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera nxjerrin me batenije disa prej fatkeqëve tregon se çfarë mjetesh kishin grupet shqiptare të kërkim-shpëtimit. E kotë të flasim për ekipet e huaja, pasi dallimi është i madh. Për shembull, ekipi rumun ngriti dhe koordinoi barrela lëvizëse të fiksuara në sistem litarësh.

Lëvizja dhe spostimi i rrënojave me duar, lopata dhe kova plastike ishte mision i pamundur, i cili u mori kohë njerëzve që ishin zënë poshtë.Ardhja e ekipeve të huaja të kërkim-shpëtimit plotësoi disa nga mangësitë kryesore. Ekipi italian i kërkim-shpëtimit ofroi pajisje gjurmuese, ekipi francez ofroi krik ngritës, ekipi rumun dhe ekipi grek logjistikë të ndihmës së shpejtë, ekipi kroat dhe ai zviceran ofruan skuadra qensh kërkim-shpëtimi. Falë angazhimit të tyre dhe skuadrave të tjera, turke, serbe, malazeze, maqedonase etj, në orët më kritike u mund të identifikoheshin disa vende ku mbeteshin njerëz të zënë nën rrënoja.Fatkeqësisht “orët e arta” kaluan dhe nga operacioni i shpëtimit u kalua në operacionin për kërkimin e viktimave.

Pse ekipet shqiptare të kërkim-shpëtimit nuk kishin pajisje?Qeveria reformoi strukturat e emergjencave civile, por, sipas Monitorit, vonoi në plotësimin e kuadrit ligjor me akte dhe VKM.Organizimi i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, e cila do të zëvendësonte Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile, u miratua me urgjencë vetëm pas tërmetit të 26 nëntorit.Më herët, në tetor, Kryeministri Rama ia kaloi si funksion organizimin dhe menaxhimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit policisë vullnetare. Këta të fundit si kriter kualifikues kanë arsimin e detyrueshëm bazë dhe Akademinë e Sigurisë, pra nuk mund të jenë profesionistë.Kjo situatë kaotike nga ana ligjore e la vendin të paorganizuar në situatat e fatkeqësive natyrore.Natyrisht, faktori më i rëndësishëm është se emergjencat civile nuk janë prioritet. Edhe pse Shqipëria është një ndër dy vendet me rrezikun më të lartë sizmik në Europë, edhe pse fatkeqësitë natyrore, kryesisht përmbytjet, godasin çdo vit, ato nuk kanë ngjallur interesin e qeveritarëve.Qeveria Rama ka pasur prioritet të qartë të ashtuquajturën Rilindje Urbane, e cila është reduktuar në fasada—sheshet, godinat qeveritare, veshjet e luksit, makinat, zbukurimet, pas së cilës fshihet një qeverisje që duket se nuk garanton dot sigurinë dhe jetën e njerëzve./exit.al

VIDEO- Pallati i shkatërruar nga tërmeti, ekspertët e nxjerrin të sigurt, banorët: Të vijnë të shohin banesat, muret janë shembur

Ekspertët e kanë nxjerrë të sigurt por banorët kanë frikë ende të besojnë tek shtëpitë e tyre pas tërmetit të 26 nëntorit. Ky është rasti i pallatit 2118 në Durrës, i cili ka dëmtime shumë të mëdha në mure po kolonat mbajtëse kanë dalë të sigurta nga ekspertë spanjollë. Brenda pallatit të ndërtuar në 2009 ka mure të shkëputura bllok dhe që rrezikojnë seriozisht. Gazetari Erjon Skëndaj raportoi për “BalkanWeb” se banorët kërkojnë ekspertizë të sigurisë brenda banesave dhe vlerësim të dëmeve në mure të brendshme e të jashtme.

Pallati ka mbi 250 familje dhe rreth 1000 banorë. Ata kanë nisur largimin e plaçkave me krahë pasi ashensorët nuk punojnë. Kanë marrë shtëpi me qira ose tek të afërm. Shqetësim tjetër i banorëve janë depozitat e ujit rreth 250 ton që ndodhen në tarracë. Si ky pallat janë edhe tre pallate të tjerë mbi 10 katësh në të njëjtën zonë.

Profesoresha Luljeta Bozo jep alarmin: Depozitat e ujit në asnjë mënyrë në tarraca

Profesoresha Luljeta Bozo ka dhënë alarmin për depozitat e ujit në tarracat e pallatit. Sipas inxhinieres, tarracat janë bërë për të mbajtur 75 kilogramë dhe jo 500 litra.



Statusi i plotë i Luljeta Bozos

Në mënyrë kategorike,duhet të merren masa për heqjen e depozitave lart në tarraca!

‘Në asnjë mënyrë nuk duhet të mbahen depozita uji në tarracë!

Duhet të gjendet menjëherë zgjidhje për ujin.Kini parasysh, soletat janë bërë për të mbajtur 75 kilogramë për metra katrorë. Atëherë kur ju vini depozita 500 litra nuk është e njëjta sasi apo jo?!

Në rast lëkundjesh,e cdo lloj lëkundje sizmike kjo i jep një forcë shtesë kujtdo, shkëput depozitën dhe bie poshtë edhe soleta. Ndaj, duhet të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë, se ndryshe pasojat do të jenë shumë të rënda!

Kush është Olsian Çela, kryeprokurori i sapovotuar

Me 101 vota pro Olsian Çela u zgjodh këtë e enjte kryeprokurori i ri i Përgjithshëm i Shqipërisë, duke zënë kështu vendin që më parë e mbante përkohësisht Arta Marku. 

Çela ishte i pari në listën që Këshilli i Lartë i Prokurorisë i dërgoi Kuvendit, pasi mori më shumë pikë gjatë procesit të intervistimit. Cela beri edhe betimin sot ne Kuvend, per te nisur keshtu detyren e re.

PROFILI

Olsian Çela është konsideruar si ‘prokurori i dosjeve të forta’.

Kjo pasi ka hetuar disa dosje të bujshme, siç është “Xibraka”, apo grabitja në aeroportin e Rinasit në 2016, ku me firmën e tij në kërkim ndërkombëtar është Aleks Pepa.

Si prokurori ai hetoi edhe mbi masakrën e Kartodromit apo grupin e Niklës.

Çela e ka nisur karrierën e tij në drejtësi në vitin 2001, pas diplomimit në shkollën e Magjistraturës. Fillimisht ushtroi detyrën e prokurorit në institucionin e akuzës në kryeqytet. Në 2004, u emërua prokuror te Krimet e Rënda, institucion që e drejtoi për një periudhë katër vjeçare.

Prej vitesh është anëtar bordi në shkollën e Magjistraturës dhe pedagog në dy universitete. Olsian Çela është pika e kontaktit e Eurojust në prokurorinë Shqiptare. Përgjatë viteve është trajnuar në disa vende të Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çështjet e krimit të organizuar. Është njohës i 4 gjuhëve të huaja.

Z.Spartak Braho, kthjellohuni! Nga Entela Kasi, Presidente e Qendrës PEN Shqipëri

 

Antisemitizmi i veshur me imunitet nuk është thjesht kërcënues, por vrasës!

” Lufta është vdekje, është fundi” – kjo është një fjali nga romani ” Kujtime të Mirelës’ – të shkrimtarit Eugene Schoulgin. Në mardhënie me kujtesën letërsia nuk njeh kompromis. Është fjala për luftën e dytë botërore dhe atë çka ndodhi pas saj në Evropën e ndarë nga muri i Berlinit.

Muri i Berlinit ka rënë! Shqipëria është shtet demokratik.
Si ka mundësi që në një shtet demokratik, në Shqipëri, individë të veshur me imunitet dhe pushtet politik, ende edhe sot kanë kurajon të shfaqen me gjuhë antihumane!
Antisemitizmi është vrasës!

Po ! Antisemitizmi është vrasës! Ndaj sot, dorëheqja nga funksionet e parlamentit do të ishte akti i duhur, sepse ju nuk mund të përfaqësoni dot as votuesit, as partinë tuaj, e as popullin shqiptar.
Thjesht nuk mundeni, sepse gjuha , logjika, veprimi juaj janë antihumane! ( Gjuha, logjika, veprimet tuaja ndaj shkrimtarit Agron Tufa )

Në shtetet ku institucionet e drejtësisë janë funksionale , ju z. Braho, do të ishit nën akuzë dhe jo vetëm!

Entela Kasi
Presidente e Qendrës PEN
Shqipëri

Qendër e PEN International

 


Send this to a friend