VOAL

VOAL

Trump: Mund t’i anuloj konferencat për media

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se mund të anulojë konferencat e përditshme për shtyp, pasi zëdhënësit e tij janë kritikuar për dhënie të informacioneve të pasakta.

Trump dhe ekipi i tij i komunikimeve janë kritikuar pasi arsyet e dhëna për shkarkimin e drejtorit të FBI-së, James Comey, më 9 maj nga presidenti, kanë ndryshuar gjatë dy ditëve pasuese.

Trump shkroi të premten në Twitter se nuk mund të pritet që “surrogatët” e tij të japin “saktësi të përsosur”.

“Si president shumë aktiv, me shumë gjëra duke ndodhur, nuk është e mundur për surrogatët e mi të qëndrojnë në podium me saktësi të përsosur”, tha Trump.

“Ndoshta gjëja më e mirë që mund të bëhet është të anulohen konferencat për shtyp në të ardhmen dhe të jepen përgjigje me shkrim për hir të saktësisë”, shtoi Trump.

Comey ka udhëhequr hetimet e FBI-së për lidhje të mundshme midis bashkëpunëtorëve të Trumpit dhe zyrtarëve rusë.

Administrata amerikane ka thënë se shkarkimi i tij nuk ka të bëjë me çështjen e Rusisë, por me keqmenaxhimin e një hetimi të FBI-së mbi emailet e kandidates demokrate për presidente të SHBA-së, Hillary Clinton.

Agjencitë e zbulimit, paralajmërime për kërcënimin e Rusisë

Në SHBA, krerët e agjencive të zbulimit paralajmëruan se kërcënimi i Rusisë, pas përpjekjeve të saj për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane, nuk ka të ngjarë të pakësohet. Përkundrazi, thanë ata, Moska pritet të bëhet më agresive dhe më e paparashikueshme.

Nëse kishte ndonjë shpresë se marrëdhëniet amerikano-ruse mund të përmirësoheshin pas takimeve të nivelit të lartë të kësaj jave, ajo u shua shpejt nga zyrtarët më të lartë amerikanë të zbulimit.

“Është e qartë se rusët e kanë intensifikuar lojën e tyre, duke përdorur mediat sociale dhe mjete të tjera me mënyra që nuk i kemi parë më parë. Ky është një kërcënim i madh për procesin tonë demokratik”, – thotë Dan Coats, Drejtor i Zbulimit Kombëtar.

Gjatë një seance me pyetje-përgjigje në Senat, drejtori në detyrë i FBI-së shkoi deri aty sa të kundërshtonte pohimet e Shtëpisë së Bardhë se hetimi i kësaj agjencie rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane dhe bashkëpunimi i mundshëm me njerëzit e fushatës së zotit Trump, është “një ndër gjërat më të vogla” në axhendën e saj.

“A është ky një hetim i vogël krahasuar me gjithë punën tjetër që po bëni?” pyeti senatori Angus King.

“Ne e konsiderojmë atë një hetim shumë të rëndësishëm,” u përgjigj Andrew McCabe, drejtor në detyrë i FBI-së.

Përgjigjja ishte në të njëjtën linjë me paralajmërimet e mëparshme të zyrtarëve të lartë, përfshirë sekretarin e mbrojtjes Jim Mattis, i cili në seancën e tij të konfirmimit e quajti Rusinë kërcënimin më të madh për stabilitetin amerikan dhe atë global.

Por nën Presidentin Donald Trump, kjo pikëpamje ka ndryshuar. Krerët e zbulimit u thanë ligjvënësve të enjten se kërcënimi që vjen nga një Kore Veriore me armë bërthamore është tani përparësia e tyre kryesore.

“Nuk do të thosha se, pavarësisht se nuk është më në titujt kryesorë, rreziku që lidhet me kërcënimin e Kim Jong Unit ka ndonjë rënie”, tha Mike Pompeo, drejtor i CIA-s.

Zyrtarët refuzuan të thonë se sa afër është Koreja e Veriut nga aftësia për të goditur SHBA me një raketë bërthamore. Por ata vunë në dukje se çdo provë me raketë, qoftë edhe e dështuar, e sjell Penianin më afër këtij objektivi.

“Ata janë në këtë rrugë dhe të vendosur ta bëjnë këtë,” – tha gjeneral Vincent Stewart, drejtor i Agjencisë së Zbulimit të Mbrojtjes.

Mes kërcënimeve kryesore, sipas zyrtarëve, është edhe grupi terrorist Shteti Islamik. Zyrtarët paralajmërojnë se ISIS-i po përgatitet të riorganizohet në Irak dhe Siri dhe ende është i aftë të organizojë dhe frymëzojë sulme në të gjithë botën, pavarësisht humbjeve të mëdha në fushën e betejës.

Është pastaj Irani, i cili megjithëse deri tani po e respekton marrëveshjen bërthamore, vazhdon të luajë rol aktiv në Siri, Irak dhe gjetkë, duke përhapur ndikimin tij. Sipas zyrtarëve, ai ka në komandë rreth 10 mijë luftëtarë milicie në të gjithë rajonin.

Presidenti paralajmëron Comeyn për bisedat mes tyre

Presidenti Donald Trump la të kuptohej të premten se mund të ketë regjistrime të bisedave që kishte zhvilluar privatisht me drejtorin e FBI-së, James Comey, të cilin ai e shkarkoi të martën. Në një koment paralajmërues ndaj ish-drejtorit të FBI-së, presidenti tha të premten se James Comey bën mirë “të lutet që të mos ketë regjistrime të bisedës” mes tyre. Presidenti e bëri komentin përmes një postimi në Twitter, të premten në mëngjes, një ditë pasi kishte deklaruar se ish-drejtori i FBI-së e kishte siguruar tre herë se nuk ishte objekt hetimesh nga FBI-ja.

Komentet e zotit Trump duket se janë një paralajmërim ndaj zotit Comey që ai të mos nxjerrë në shtyp hollësi nga bisedat me presidentin.

Akuza dhe kundërakuza kanë përshkuar Uashingtonin këto ditë që pas shkarkimit të drejtorit të FBI-së James Comey, në lidhje me motivet e presidentit për këtë masë dhe statusin e procesit hetimor mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar. Dje në një seancë me pyetje përgjigje në Senat, zëvendësi i zotit Comey që tani ka marrë rolin e drejtorit në detyrë për FBI-në i doli kundër versionit të Shtëpisë së Bardhë në lidhje me respektin dhe besimin që gëzonte personeli i FBI-së për zotin Comey:

Shtëpia e Bardhë ka ofruar një numër shpjegimesh në lidhje me vendimin për të shkarkuar zyrtarin që kryesonte hetimet mbi Rusinë.

“Ai nuk po bënte punë të mirë,” tha presidenti.

“Stafi i FBI-së kishte humbur besimin tek drejtori,” tha një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Këtyre deklaratave u kundërvihet zyrtari që tani ka marrë detyrën e zotit Comey:

“Drejtori Comey gëzonte dhe vazhdon të gëzojë mbështetje të gjerë në FBI,” tha drejtori në detyrë, Andrew McCabe.

Senatorët kishin një numër pyetjesh në lidhje me letrën e presidentit, ku Donald Trump thotë se në tre raste të veçanta drejtori i FBI-së e kishte informuar se zoti Trump nuk ishte nën hetime në lidhje me rolin e Rusisë në zgjedhje:

“A është praktikë e rregullt pune e FBI-së që të informojë individë se nuk janë nën hetime?” pyet Senatorja republikane, Susan Collins.

“Nuk jam në dieni të një praktike të tillë,” përgjigjet zoti McCabe.

Në një intervistë për rrjetin NBC, presidenti iu përmbajt variantit të tij:

“Në fakt e pyeta Comey-n. I thashë ‘Po të jetë e mundur, a mund të ma bësh të ditur nëse jam nën hetime?’ Ai më tha ‘Nuk je nën hetime,’” thotë Presidenti Trump.

Ndërkaq revoltimi i demokratëve pas kësaj mase ndjehet qartë:

“Zoti Comey po drejtonte një proces aktiv hetimesh të kundërzbulimit për të mësuar nëse ka pasur lidhje mes individëve që punonin për fushatën Trump dhe qeverisë ruse apo përfaqësuesve të saj. Është vështirë t’i shpëtosh konkluzionit se vendimi i presidentit për të shkarkuar Drejtorin Comey kishte lidhje me këto hetime. Dhe kjo do të ishte e papranueshme,” thotë Senatori demokrat Mark Warner.

Edhe disa republikanë kanë ngritur pyetje për momentin e zgjedhur për ta shkarkuar zotin Comey, por shtojnë se presidenti gëzon autoritet të plotë për këto masa. FBI-ja këmbëngul që hetimet vazhdojnë:

“Puna e punonjësve të FBI-së vazhdon pavarësisht nga ndryshimet në rrethana,” thotë zoti McCabe.

James Comey do të dëshmonte dje para Komisionit të Senatit për Shërbimet e Zbulimit mbi hetimet e FBI-së për kundërzbulimin. Pasi u shkarkua të martën, tani ai është thirrur të dëshmojë javën e ardhshme, në një seancë me dyer të mbyllura, ku do të paraqitet si qytetar i thjeshtë.

Tensione në ajër, bombarduesi rus provokon rëndë SHBA-të

Nje avion luftarak rus ka provokuar serish SHBA-te. Fox News raporton se ai u pikas në brigjet e Alaskës dhe ishte afruar shume prane një avioni të Marinës së SHBA ne Detin e Zi.

Lajmin e kane dhene zyrtarët e mbrojtjes të SHBA për Fox News. Sipas tyre, një avion rus Su-27 gati iu ngjit P-8A Poseidon ndërsa aeroplani i Marinës ishte në hapësirën ajrore ndërkombëtare.

Manovrimi rus i jetit ishte “i sigurt dhe profesional”, tha një zyrtar i Marinës së SHBA për NBC News.

Ne ajer u pane manovra te rrezikshme dhe provokuese, deri sa Poseidon shpejt ndryshoi kursin e levizjes.

“Pas afrimit të një avioni në një distancë të sigurt, piloti rus vizualisht identifikoi objektin fluturues si një aeroplan mbikëqyrës amerikan P-8A Poseidon”, tha ushtria ruse.

Zyrtarët e SHBA-së thanë se rreth 60 incidente të tilla kanë ndodhur që nga viti 2007, raportoi RT.

U.d. i drejtorit të FBI, refuzon të përgjigjet nëse Trump është nën hetime

Ushtruesi i detyrës të drejtorit të FBI-së, ka dhënë deklarata kontradiktore me ato të Shtëpisë së Bardhë, mbi disa çështje, sa i përket shkarkimit nga detyra e shefit të FBI-së, James Comey, teksa ka dëshmuar në një seancë dëgjimore në Senat.

Andrew McCabe i ka bërë këto komente në Komitetin e Inteligjencës së Senatit më 11 maj, vetëm dy ditë pasi presidenti Donald Trump e ka shkarkuar Comey.

Ai ka thënë se hetimi i agjencisë Andrew për lidhjet e mundshme mes zyrtarëve rusë dhe bashkëpunëtorëve të Trumpit “është jashtëzakonisht i rëndësishëm”.

“Ne e konsiderojmë se ky hetim është shumë i rëndësishëm”, ka thënë McCabe.

Më 10 maj, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë kishte minimizuar rëndësinë e hetimit, i cili po vazhdon, krahas me hetimet që po zhvillojnë komitetetet e inteligjencës së senatit dhe dy panele të Kongresit.

Shkarkimi i Comey habiti shumë ligjvënës dhe thelloi pyetjet lidhur me administratën Trump dhe pavarësinë e agjecive të sundimit të ligjit nga presioni politik.

Ndonëse tema e panelit para komitetit të senatit ishin “kërcënimet në mbarë botën”, ligjvënësi demokrat, Mark Warner, tha se hetimet për Rusinë dhe shkarkimi i Comey, ishin temat kryesore.

“Është e vështirë të shmangim se vendimin e presidentit për të shkarkuar Comeyn lidhet direkt me këtë hetim”, ka thënë ai.

Kryesuesi i këtij komiteti, republikani Richar Burr, ishte njëri nga disa ligjvënës republikanë që publikisht kanë shprehur shqetësimin e tyre për shkarkimin e Comey. Pyetja e tij për McCabe ishte nëse ai ka dëgjuar Comey ti ketë thënë Trumpit se ai nuk është subjekt i asnjë hetimi.

Por McCabe refuzoi të përgjigjej në këtë pyetje.

Por, presidenti Donald Trump, në një intervistë dhënë për NBC, ka thënë se Comey , tri herë i kishte thënë atij, se nuk është pjesë e asnjë hetimi.

“E kam pyetur atë [Comey]. I thash ‘nëse rastësisht jam pjesë e ndonjë hetimi, a do të më tregosh?’. Ai më tha ‘Ti nuk je duke u hetuar’”, ka thënë Trump.

Që prej shkarkimit të Comey, Shtëpia e Bardhë e ka justifikuar vendimin e presidentit Trump, duke thënë se Comey kishte humbur besimin e punëtorëve të FBI-së dhe të publikut.

Megjithatë, një qëndrim të tillë e kundërshtoi McCabe.

“Kjo nuk është e saktë. Mund të ju them se drejtori Comey ka gëzuar mbështetje nga jashtë si dhe brenda FBI-së, dhe ende ka mbështetje”, tha ai.

Presidneti Donald Trump ka ndryshuar po ashtu komentet e tij lidhur me arsyen e shkarkimit të Comey.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kishin thënë fillimisht se Trump e kishte shkarkuar Comey, pasi kishte marrë rekomandim nga Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Rob Rosenstein dhe Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions, për siç thuhej, keqmenaxhimin e hetimit të emaileve të kandidates demokrate për presidente, Hillary Clinton.

Por, në intervistën për NBC, Trump tha se pavarësisht këtyre rekomandimeve, ai kishte vendosur vet që ta shkarkonte Comey.

“Zëvendësprokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein ka bërë rekomandimin. Ai është një njeri i respekutar, demokratët e pëlqejnë, republikanët po ashtu. Ai bëri një rekomandi por pavarësisht kësaj, unë do ta shkarkojna Comey”, ka thënë Trump.

Duke folur për hetimin ndaj Rusisë, McCabe u ka thënë senatorëve se nuk ka pasur asnjë pengim për hetimin e byrosë për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. (REL)

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Trump: Do ta shkarkoja Comeyn pavarësisht nga rekomandimi i Departamentit të Drejtësisë

Gjatë një interviste në rrjetin televiziv NBC, presidenti Donald Trump tha se do ta kishte shkarkuar shefin e FBI-së James Comey edhe në qoftë se zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë nuk do t’ia kishin rekomanduar, duke thënë se ai donte të dukej.

Ai do që të bjerë në sy. Është pompoz. kërkon të duket. FBI-ja ka qenë e përfshirë në amulli prej tij”, i tha zoti Trump rrjetit televiziv në intervistën e tij të parë që prej shkarkimit të papritur ditën e martë të zotit Comey.

Ish kreu i FBI-së po drejtonte një hetim mbi lidhjet mes zyrtarëve të fushatës zgjedhore të presidentit Trump dhe zyrtarëve rusë, së bashku me ndërhyrjen e mundshme ruse në zgjedhje e vitit të kaluar.

Do ta pushoja vetë Comey-n” tha Trump. “Do ta kisha pushuar pavarësisht pavarësisht nga rekomandimi i zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm Rod Rosenstein”.

Të enjten Shtëpia e Bardhë mbrojti sërish mënyrën se si e shkarkoi drejtorin e Byrosë Federale të Hetimit, në një periudhë kur po hetohen lidhjet e njerëzve të fushatës zgjedhore të presidentit dhe zyrtarëve rusë.

Marrëdhënia e ndërlikuar e Presidentit Trump me ish-drejtorin e FBI-së

Shkarkimi i drejtorit të FBI-së, James Comey nga Presidenti Donald Trump ishte pika kulmore e një marrëdhënieje të vështirë njëvjeçare mes tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Gallo i hedh një vështrim zhvillimeve të muajve të fundit.

Trump: “Oh, and there’s James. He’s become more famous than me.”

Edhe në momentet më të mira, për Donald Trumpin ishte një marrëdhënie e dyfishtë dashuri-urrejtje.

Armiqësia e presidentit me drejtorin e FBI-së, James Comey filloi gjatë fushatës … kur zoti Comey nuk pranoi të ngrinte akuza kundër rivales së zotit Trump, Hillary Clinton, për përdorimin e një serveri privat emailesh, kur ishte Sekretare Shteti.

“Nuk kemi prova që të mund të mbështesnin ngritjen e akuzave”.

Kandidati i atëhershëm Trump u indinjua, duke argumentuar se zonja Clinton duhet të ishte futur në burg për emailet.

Por qëndrimi i zotit Trump ndryshoi vetëm 11 ditë para zgjedhjeve, kur zoti Comey njoftoi se FBI-ja po analizonte një grup tjetër emailesh të zonjës Clinton, një deklaratë që shumë demokratë thonë se kontribuoi në fitoren e zotit Trump.

“E respektoj faktin që drejtori Comey arriti të bënte një kthesë pas veprimit të tij të mëparshëm. E respektoj këtë jashtë mase”.

“Ai e rifitoi reputacionin e tij, e rifitoi.”

“FBI-ja po bën punë të mirë.”

Por kur mori detyrën, toni i tij ndryshoi përsëri. Veçanërisht pasi zoti Comey konfirmoi se po drejtonte një hetim për të zbuluar nëse zyrtarët e fushatës së zotit Trump kishin bashkëpunuar me Rusinë për të ndërhyrë në zgjedhje.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se shkarkimi i zotit Comey nuk ka të bëjë fare me hetimin. Ata përmendin një letër të Departamentit të Drejtësisë, ku kritikohet mënyra se si e trajtoi ai çështjen e emaileve të zonjës Clinton.

Por shumë ligjvënës nuk e besojnë këtë arsyetim, duke shtruar pyetjen se pse Presidenti Trump do ta shkarkonte zotin Comey për të njëjtat veprime që më parë i kishte përshëndetur.

“Pyetja e parë së cilës duhet t’i përgjigjet administrata është: ‘pse tani?’”, thotë senatori demokrat, Chuck Schumer.

Por zoti Trump nuk është penduar. I pyetur dje se pse e shkarkoi zotin Comey, ai u përgjigj.

“Sepse nuk po bënte punë të mirë. Është e thjeshtë. Nuk po bënte punë të mirë”.

SHBA rithekson angazhimin për të mbrojtur Turqinë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes James Mattis ripërsëriti qëndrimin për të mbrojtur Turqinë.

Deklarata vjen në një kohë kur autoritetet turke kanë kundërshtuar një vendim të kohëve të fundit të Shteteve të Bashkuara për të armatosur luftëtarët sirianë kurdë, në një përpjekje për të rrëzuar militantët e Shtetit Islamik në Raka

Zoti Mattis ritheksoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aleatit të saj të NATO-s pas një takimi të enjten me kryeministrin turk Binali Yildirim. Këto janë bisedimet e para të nivelit të lartë mes të dy vendeve që kur Uashingtoni shpalli të martën planin për t’u siguruar armë kurdëve sirianë të mbështetur nga SHBA, të njohur edhe si YPG.

Turqia e ka kundërshtuar fuqimisht vendimin dhe ka bërë thirrje për anulimin e tij. Ajo beson se YPG është një grup terrorist, pjesë e Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), që konsiderohet si një grup terrorist nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa.

Të mërkurën, kryeministri Yildirim kritikoi publikisht vendimin dhe tha se SHBA nuk mund të përdorë një grup terrorist për të luftuar një tjetër.

Zoti Yildirim dhe zoti Mattis u takuan të enjten përpara fillimit të një konference ndërkombëtare në Londër për çështje të sigurisë dhe humanitare në Somali.

Një zyrtar i lartë amerikan që nuk u identifikua tha të enjten se Shtetet e Bashkuara do të rrisin bashkëpunimin me Turqinë në shkëmbim të informacioneve të zbulimit, për ta ndihmuar vendin për një goditje më efikase të terroristëve.

Zyrtarët amerikane shpresojnë që kjo lëvizje të ndihmojë në zbutjen e shqetësimeve turke se armët do të përfundojnë në duart e armiqve të saj.

Ata thanë gjithashtu se armët nuk u janë dërguar ende kurdëve. Të mërkurën koloneli amerikan Xhon Dorrian tha se megjithatë, dërgesa e parë është e gati dhe se mund mund t’u shkojë kurdëve “shumë shpejt”.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili i ka kërkuar SHBA-së të anulojë vendimin, pritet të vizitojë Uashingtonin të martën e ardhshme. Zoti Erdogan ka thënë se ai do ta diskutojë këtë çështje me presidentin amerikan Donald Trump kur të takohen.

CIA formon qendër të posaçme për Korenë e Veriut

Drejtori i CIA-s Mike Pompeo ka theksuar se qendra me qëllim zgjerimin e forcës ushtarake do të ofrojë mbështetje për CIA-n kundër ‘kërcënimeve serioze‘

Agjencia Qendrore e Inteligjencës së SHBA-ve (CIA) brenda saj do të formojë “Qendrën e detyrës për Korenë” për diskutimin e kërcënimit të raketave bërthamore dhe balistike me origjinë nga Koreja e Veriut.

Sipas një deklarate të bërë nga CIA me qendrën e cila do të përqendrohet tek kërcënimet që do të vijnë nga Koreja e Veriut synohet që agjencia të sigurojë një burim të plotë, forcë dhe autoritet për t’u përballuar me problemin e Koresë së Veriut.

“Kjo qendër e re e detyrës do të mundësojë mbledhjen në një çati të vetme të krijimtarive dhe përvojave të ekspertëve që punojnë në agjenci kundër kërcënimit të Koresë së Veriut”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu edhe drejtori i CIA-s Mike Pompeo ka theksuar se qendra me qëllim zgjerimin e forcës ushtarake do të ofrojë mbështetje për CIA-n kundër ‘kërcënimeve serioze‘ që do të vijnë nga Koreja e Veriut e cila në kohët e fundit ka rritur testimet e saj raketore dhe bërthamore.

Ndërsa ish-analisti i lartë i CIA-s John Nixon në një deklaratë për CNN tha se qendra pritet që të përgatisë dy raporte të situatës në ditë me qëllim informimin e shërbimeve inteligjente dhe administratën e presidentit Donald Trump.

Duke bërë të ditur se qendra do të punojë nga afër me inteligjencën dhe të gjitha njësitë e sigurisë amerikane, Nixon ka nënvizuar se në të ardhmen do të zhvillohen edhe bashkëpunime të rëndësishme me njësitë e Koresë së Jugut. aa

Michael Flynn urdhërohet të dorëzojë dokumentet

Michael Flynn

Një panel i Senatit amerikan, që po heton ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016, ka bërë një kërkesë të rrallë zyrtare të dokumenteve nga Michael Flynn, ish-këshilltar për siguri kombëtare i presidentit Donald Trump.

Komiteti i Inteligjencës i Senatit tha se Flynn është urdhëruar të dorëzojë dokumentet, pasi nuk ka bashkëpunuar vullnetarisht me hetimin.

Flynn është detyruar të japë dorëheqje në shkurt, pasi nuk ka zbuluar përmbajtjen e bisedimeve të tij me diplomatët rusë.

Një ish-zyrtare e Departamentit amerikan të Drejtësisë, Sally Yates, tha këtë javë se ka paralajmëruar Shtëpinë e Bardhë qysh në muajin janar, se Flynn është në rrezik për t’u shantazhuar nga Rusia.

Presidenti Trump vazhdimisht ka mohuar ndonjë bashkëpunim midis ndihmësve të tij dhe Rusisë.

Ai ka akuzuar mediat dhe kundërshtarët politikë se bëjnë përpjekje të dëmtojnë presidencën e tij me “lajme të rreme”.

Rrëmujë në Uashington pas shkarkimit të Comeyt

Drejtori i shkarkuar i FBI-së, James Comey

 

Drejtori i FBI-së, James Comey, po bënte përpjekje të zgjeronte hetimet e agjencisë së tij për marrëveshje të mundshme midis Rusisë dhe fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump, pak ditë para se të shkarkohej nga Trump, raportojnë mediat amerikane.

Shtëpia e Bardhë insistoi se Comey është shkarkuar për “gabime” që nuk lidhen me hetimet për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

“Presidenti ka humbur besimin te drejtori Comey dhe, sinqerisht, ai e ka shqyrtuar largimin e tij që nga dita kur është zgjedhur president”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

Por, sipas mediave amerikane, Comey i ka kërkuar Departamentit të Drejtësisë para shtesë, për të angazhuar më shumë njerëz në hetimet e që po bën FBI. Comey më pas i ka informuar ligjvënësit për kërkesën e tij për më shumë fonde.

Dick Durbin, demokrat në Senat, tha se nuk është i sigurt se kërkesa e Comeyt nxiti shkarkimin e tij, porse “është e qartë se shkarkimi është përpjekje për të ngadalësuar hetimet”.

Departamenti i Drejtësisë dhe Shtëpia e Bardhë kanë mohuar se Comey ka kërkuar më shumë para dhe se çështja e financimit ka ndonjë lidhje me shkarkimin e tij.

Administrata amerikane ka thënë se pushimi nga puna i Comeyt ka të bëjë me keqmenaxhimin e një hetimi të FBI-së mbi emailet e kandidates demokrate për presidente të SHBA-së, Hillary Clinton. Trump ka shprehur habinë përse demokratët nuk e mbështetën shkarkimin e Comeyt për këtë arsye.

Demokratët janë ankuar për hetimin e Clintonit nga Comey, veçanërisht për vendimin e tij që vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve të rihapë disa hetime, por ata kanë dënuar shkarkimin e tij, për shkak të rolit kritik të Comeyt në hetimet e Rusisë.

Liderët demokratë në Senat kanë bërë thirrje për emërimin e një prokurori special, për të hetuar Rusinë, pas shkarkimit të Comeyt.

Liderja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha se do të përpiqet të detyrojë votimin mbi një ligj që krijon një komision të pavarur për të hetuar çështjen e Rusisë.

Pelosi tha se hetimet duhet të hiqen nga lidershipi i Departamentit të Drejtësisë, i emëruar nga Trump.

Trump është presidenti i parë pas Richard Nixonit që shkarkon një zyrtar të sundimit të ligjit, i cili mbikëqyr hetime që kanë lidhje me Shtëpinë e Bardhë.

Nixon ka shkarkuar prokurorin special që ka udhëhequr hetimet e skandalit Watergate. Furia që ka shpërthyer pas shkarimit të tij ka çuar në dorëheqjen e Nixonit. Dhe, veprimi i Trumpit e lë të pasigurt fatin e hetimeve të çështjes së Rusisë.

Përgatiti: Valona Tela

SHBA: Shembet një tunel me përmbatje mbeturinash radioaktive

Një tunel i nëndheshëm, me përmbatje mbeturinash radioaktive u shemb dje pasdite në shtetin e Uashingtonit. Autoritet i kërkuan qindra punëtorëve që punojnë aty të tregohen të kujdesshëm.

Sipas njoftimeve zyrtare në kompleksin bërthamor të Hanfordit nuk pati rrjedhje rrezatimi dhe në momentin e rrëzimit brenda në tunel nuk ndodhej asnjë punëtor.

Ende nuk dihen arsyet që shkaktuan incidentin.

Rezervuari bërthamor i Hanfordit është përdorur për të prodhuar plutonium për bombën që i dha fund Luftës së Dytë Botërore. Reaktori i saj i fundit u mbyll në vitin 1987, por miliona litra mbetjesh radiaktive mbahen në fuçi.

Shembja e tunelit, u zbulua gjatë një inspektimi rutinë dhe ndodh në një periudhë pastrimi masiv që ka filluar që prej vitit 1980 me një vlerë më shumë se 2 miliardë dollarësh në vit.

Puna pritet të zgjasë deri në vitin 2060 dhe do të kushtojë më shumë se 100 miliardë dollarë.

Trumpi lavdëron takimin me Lavrovin

Uashington, 10 maj 2017.

 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se bisedimet e tij me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, kanë qenë “shumë të mira” dhe se dy vendet po punojnë për t’i dhënë fund luftës gjashtëvjeçare në Siri.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte i pari i Trumpit, sy më sy, me një zyrtar të lartë rus, prejse ai ka marrë detyrën e presidentit në janar.

Megjithatë, bisedimet u zhvilluan nën hijen e vendimit të Trumpit, një ditë më herët, për të shkarkuar drejtorin e FBI-së, James Comey.

Comey ka mbikëqyrur hetimet e lidhjeve midis bashkëpunëtorëve të Trumpit dhe zyrtarëve rusë.

Në komentet e shkurtra për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump lavdëroi rezultatin e takimit me Lavrovin.

“Mendoj se do t’ia dalim me Sirinë, gjërat po ndodhin, ato janë vërtet pozitive”, tha Trump.

Në delaratën e lëshuar më pas nga Shtëpia e Bardhë u tha se Trump i ka kërkuar Lavrovit “të frenojë” presidentin sirian, Bashar al-Assad, dhe Iranin. Të dy janë aleatë të ngushtë të Rusisë.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Trump diskutoi edhe çështjen e Ukrainës me Lavrovin dhe theksoi përgjegjësinë e Rusisë për të zbatuar Marrëveshjen e Minskut për paqe në lindje të Ukrainës.

Lavrov, ndërkaq, u tha gazetarëve në ambasadën ruse se Trump do marrëdhënie “reciprokisht të dobishme” me Moskën.

Reagime të forta pas shkarkimit të drejtorit të FBI-së

Shkarkimi i drejtorit të FBI-së James Comey ka shkaktuar reagime të forta në Uashington. Shumë nga ata që e kanë kritikuar shkarkimin kanë vënë në pikëpyetje motivet e presidentit, duke ngritur tezën se kjo masë mund të ketë lidhje me hetimet mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Tani anëtarë të Kongresit dhe analistë të pavarur në Uashington po pyesin si do të evolojë ky proces hetimor pas largimit të zotit Comey.

Reagimet e forta jo vetëm nga demokratë, por edhe anëtarë të partisë së tij, e kanë vënë Presidentin Trump në pozitë mbrojtëse. Sot në një numër postimesh në Twitter, ai i doli në mbrojtje vendimit për ta pushuar zotin Comey duke thënë se pasi të qetësohen gjakrat “njerëzit do ta falenderojnë për këtë veprim”.

Presidenti iu kundërpërgjigj kritikave të demokratëve, duke thënë në një postim në Twitter se ata vetë “kanë thënë gjëra nga më të këqiat për James Comey-n, përfshirë edhe nevojën që ai të pushohet nga detyra, por tani bëjnë sikur janë mërzitur”.

James Comey u bë objekt kritikash të forta nga demokratët kur rihapi hetimet mbi kandidaten Hillary Clinton, pak ditë para zgjedhjeve. Shumë demokratë kërkuan largimin e tij, pasi kishte shkelur rregullën e neutralitetit të FBI-së në periudhë zgjedhjesh që të mos ndikohet opinioni publik.

Por nuk është vetë shkarkimi i zotit Comey që ka ngritur pikëpyetje, aq sa momenti i zgjedhur për këtë vendim:

“Mendoj se në politikë thuajse gjithmonë momenti i vendimit ka rëndësi. Pyetja është përse u zgjodh ky moment? Konteksti me Rusinë mund të ketë qenë faktor; ndoshta pas dëshmisë së zotit Comey, presidenti mendoi se ishte politikisht e përshtatshme,” thotë profesori i drejtësisë Sam Erman.

Spekulimet mbi motivet përqëndrohen tek pyetja: sa thellë kanë shkuar hetimet, çfarë po rezulton prej tyre dhe si reflektojnë këto hetime tek administrata Trump?

“Nuk është diçka e zakontë të pushosh nga puna dikë që është në mes të hetimeve, qoftë edhe nëse hetimet nuk janë të fokusuara tek vetë presidenti, por tek njerëz të afërt me të”, thotë profesori Erman.

Rrjeti televiziv CNN njoftoi mbrëmë se prokurorët federalë kanë thirrur për t’u paraqitur para jurisë së madhe ish-këshilltarin e presidentit për sigurinë kombëtare, Michael Flynn. Atij i kërkohet të paraqesë dokumente financiare për të analizuar çfarë lidhjesh kishte ai me zyrtarë rusë në kuadër të hetimeve mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale.

Drejtorët e FBI-së emërohen për një mandat 10-vjeçar në detyrë dhe shërbejnë nën disa presidentë, pra ky rol shihet si një post mbi përkatësitë partiake. Për këtë arsye, pushimi i zotit Comey i cili ende nuk ka mbushur katër vjet në detyrë, momenti kur u bë shkarkimi, gjuha e përdorur në letrën e presidentit dhe pikëpyetjet mbi hetimet për ndërhyrjet ruse kanë zgjuar shumë mëdyshje në Uashington.

Vendimi i Presidentit Trump ka lënë të shtangur edhe shumë republikanë. Senatori Jeff Flake u shpreh përmes një postimi në Twitter: “për orë të tëra po përpiqem të gjej një argument të arsyeshëm për shkarkimin e Comeyt, por nuk kam gjetur gjë”.

Demokratët në Kongres kanë kërkuar emërimin e një prokurori të posaçëm për të vazhduar hetimet mbi kontaktet që mund të ketë pasur vjet Rusia me individë të afërt me fushatën e zotit Trump. Këtyre thirrjeve u janë bashkuar edhe disa republikanë.

Ligjvënësi Justin Amash tha përmes një postimi në Twitter se po analizon kornizën ligjore “për të ngritur një komision të pavarur mbi Rusinë”.

Shtëpia e Bardhë thotë se Trumpi nuk ka lidhje biznesore me Rusinë

Një hetim i bërë nga një rival i njohur republikan i presidentit Donald Trump, lidhur me atë nëse Trump ka marrëdhënie biznesore me Rusinë, bëri që Shtëpia e Bardhë të japë një përgjigje të pazakonshme.

Senatori republikan, Lindsey Graham, që kryeson nënkomisionin për Drejtësi të Senatit, që po heton ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, ka ngritur pyetjen për lidhjet e mundshme biznesore të Trumpit me Rusinë.

“Unë nuk jam prokuror. Por nëse më pyesni mua nëse dua të di nëse lidhjet biznesore të Trumpit me Rusinë janë të papërshtatshme, përgjigja ime do të ishte po”, tha Graham.

Komentet e Graham bën që Trump të kërkonte nga një firmë ligjore që t’i dërgonte Graham një letër të certifikuar, ku thuhet se “ai nuk ka asnjë biznes në Rusi; ai nuk ka asnjë lidhje me Rusinë”, ka thënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

Graham më vonë i tha CNN se për tu sqarkuar kjo çështje do të ndihmonte nëse Trump do të publikonte të ardhurat tatimore.

SHBA miraton furnizimin me armë për luftëtarët kurdë në Siri

Shtetet e Bashkuara janë pajtuar që të furnizojnë me armë grupin kryesor opozitar kurd në Siri, një lëvizje që me gjasë do të zemërojë Turqinë, vetëm disa ditë para takimit në mes të liderëve të SHBA-së dhe Turqisë në Uashington.

Zëdhënësja e Pentagonit, Dana White përmes një deklarte për media ka njfotuar se presidenti Donald Trump ka autorizuar Departamentin e Mbrotjes “për të pajisur elementet kurde të Forcave Demokratike Siriane, me qëllim që të sigurohet për fitore të qartë ndaj IS-it në Raka të Sirisë”.

Kjo deklaratë erdhi vetëm pak kohë pasi mediat, duke cituar burime të paidentifikuara, raportuar se Shtëpia e Bardhë ka miratuar armatosjen e Njësive të Mbojtjes të Popullit (YOG), në betejën ndaj militanvë të IS-it në Raka.

Uashingtoni e konsideron YPG-në si grup të rëndësishëm në luftimin ndaj IS-it në Siri. Turqia, në anën tjetër, thotë se kurdët sirianë janë grupe terroriste që kanë lidhje me grupin e jashtëligjshëm të Partisë së Punëtore të Kurdistanit (PPK), me të cilët lufton për dekada të tëra.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan pritet që në mes të muajit maj, të takohet në Shtëpinë e Bardhë, me presidentin amerikan, Donald Trump.

Trumpi do të takohet sot me Lavrovin në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump do të takohet me ministrin e Jashtëm rus, Segei Lavrov më 10 maj në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar për Sirinë dhe çështje të tjera ndërkombëtare, kanë njoftuar zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.

Trump pritet të takohet me Lavrovin, pas takimit që ky i fundit është paraparë të zhvillojë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson më 10 maj.

Zyrtarët kanë thënë se ky takim në fokus do të ketë Sirinë, marrëdhëniet SHBA-Rusi dhe çështje të tjera ndërkombëtare.

Pavarësisht dallimeve mbi çështjen e Sirisë, kjo mbetet një fushë ku Rusia dhe SHBA mund të gjejnë mundësi që të punojnë së bashku për të luftuar grupin militant, Shteti Islamik dhe grupe të tjera ekstremiste.

Lavrov do të vizitojë Uashingtonin për herë të parë që prej vitit 2013 me një plan të Rusisë për t’i dhënë fund dhunës në Siri, pas hyrjes në fuqi javën e kaluar të marrëveshjes për Sirinë, të arritur mes Rusisë, Iranit dhe Turqisë.

Presidenti Trump e shkarkon kreun e FBI-së, Comey

Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se kreu i Byrosë Federale të Hetimeve James Comey është shkarkuar.

“Presidenti ka pranuar rekomandimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe të zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm lidhur me shkarkimin e drejtorit të FBI-së,” tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

Zëdhënësi tha gjithashtu se zoti Comey ishte “njoftuar pak më parë.” Kjo hyn në fuqi menjëherë, shtoi ai.

Zoti Comey po mbikqyrte një hetim për të sqaruar nëse disa pjestarë të fushatës së zotit Trump kishin bashkëpunuar me Rusinë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Në një letër drejtuar zotit Comey të martën, Presidenti Trump shkruante: “Megjithëse e vlerësoj shumë që më keni informuar në tre raste të veçanta që unë nuk jam objekt hetimi, pajtohem me gjykimin e Departamentit të Drejtësisë se ju nuk jeni në gjendje ta udhëhiqni në mënyrë të efektshme FBI-në”.

“Është me rëndësi të madhe që të gjejmë një udhëheqje të re për FBI-në, për të rikthyer besimin e publikut dhe besimin në misionin e saj jetik për zbatimin e ligjit”, shkruante Presidenti Trump. FBI-ja, – thuhej në letrën e Presidentit, – është një nga institucionet më të respektuara të vendit tonë dhe dita e sotme do të shënojë një fillim të ri për të.

James Comey, prokuror prej një kohe të gjatë, ka qenë zëvendës kreu i Departamentit të Drejtësisë gjatë administratës së Presidentit George W. Bush dhe u emërua shef i FBI-së me mbështetjen e gjerë nga të dyja partitë në Kongres.

Ai luajti rol kryesor në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, në të cilin zoti Trump fitoi ndaj kandidates Hillary Clinton.

Korrikun e kaluar, zoti Comey tha se kandidatja Clinton ishte treguar “jashtëzakonisht e pakujdesshme” në trajtimin e emaileve të saj që lidheshin me sigurinë kombëtare, në kohën që ishte diplomatja më e lartë e vendit. Ai shtoi megjithatë se veprimet e zonjës Clinton nuk justifikonin ngritjen e ndonjë akuze penale kundër saj.

Më vonë, në fund të tetorit, pak para zgjedhjeve, zoti Comey tha se po rihapte hetimin sepse FBI-ja kishte zbuluar emaile të kandidates Clinton në kompjuterin e kongresmenit Anthony Weiner.

Zonja Clinton më vonë ia hodhi fajin rihapjes nga zoti Comey të çështjes së emaileve aq pranë ditës së votimeve si një nga arsyet për humbjen e saj në zgjedhje. Dy ditë përpara zgjedhjeve, drejtori i FBI-së tha se pasi hetuesit shqyrtuan sasinë e emaileve të zbuluara në kompjuterin e zotit Weiner, nuk gjetën asgjë të re. Zoti Comey la në fuqi përfundimin e mëparshëm se ndaj zonjës Clinton nuk duhej të ngrihej padi penale.

Të martën, FBI-ja e njoftoi Kongresin se gjatë dëshmisë së dhënë prej tij në Kongres javën e kaluar, zoti Comey kishte paraqitur në mënyrë të pasaktë disa nga gjetjet kyçe që përfshimin hetimet rreth emaileve të zonjës Clinton.

FBI-ja saktësoi se vetëm një “numër i vogël” i emaileve i ishte dërguar kongresmenit Weiner, jo “qindra dhe mijëra “, siç ishte shprehur në dëshminë e tij zoti Comey.

Apple me një kapitalizim tregu mbi 800 miliardë dollarë

NEW YORK – Gjigandi amerikan i teknologjisë Apple të hënën është bërë kompania e parë në histori që ka një kapitalizim tregu mbi 800 miliardë dollarë

Pas mbylljes në 148.96 dollarë për një aksion në tregun e aksioneve të SHBA-ve të premten, çmimi i aksioneve të Apple u rrit 3.2 përqind të hënën në nivelin më të lartë prej 153.70 dollarë për një aksion.

Kapitalizimi i tregut të ndërmarrjes u bë 815.08 miliardë dollarë, e para për çfarëdo kompanie në histori.

Apple ka shënuar rritjen e të ardhurave prej 4.5 përqind në 52.9 miliardë dollarë në tremujorin e parë të vitit, nga periudhë e njëjtë e një viti më parë.

Të ardhurat neto të kompanisë u rritën me 4.8 për qind në 11 miliardë dollarë gjatë kësaj periudhe. Apple ka tejkaluar gjithashtu të gjitha kompanitë amerikane për të ardhurat neto gjatë tremujorit të parë të vitit. aa

Yates dëshmon për kontaktet e Michael Flynn me rusët

Në SHBA, një hetim i FBI-së si dhe hetimet e Kongresit rreth kontakteve të fushatës së zotit Trump me Rusinë nuk po i ndahen administratës, megjithëse kanë kaluar rreth katër muaj nga fillim i presidencës Trump.

Presidenti Trump në mënyrë të përsëritur e ka hedhur poshtë këtë histori si “lajm të rremë”, por hetimet nuk po japin shenja se mund të përfundojnë shpejt.

Një nënkomision Juridik i Senatit dëgjoi të hënën ish-prokuroren e përgjithshme Sally Yates, e cila u shkarkua në ditët e para të administratës Trump, si dhe ish-drejtorin e zbulimit kombëtar James Clapper, në kohën e Presidencës Obama.

Zonja Yates tregoi për bisedën e saj më 26 janar me Shtëpinë e Bardhë, të cilën e paralajmëroi për kontaktet e këshilltarit të sigurimit kombëtar Michael Flynn me ambasadorin rus në Uashington Sergej Kislyak.

Ajo tha se kishte patur dy takime dhe një telefonatë me këshilltarin juridik të Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn lidhur me shqetësimet se ish-këshilltari i sigurimit kombëtar Michael Flynn mund të bëhej objekt shantazhi nga rusët.

Zonja Yates tregoi se i kishte thënë zotit McGahn se rusët ishin në dijeni për atë që kishte bërë zoti Flynn dhe se rusët e dinin që gjenerali Flynn kishte mashtruar nënpresidentin dhe të tjerët për atë që kishte bërë. Zonja Yates nuk specifikoi se për çfarë konkretisht ishte fjala.

Ajo tha se ia kishte dhënë këtë informacion Shtëpisë së Bardhë të Presidentit Donald Trump në mënyrë që ai të mund të ndërmerrte veprimet e duhura.

Zonja Yates tha se ishte shqetësues fakti që rusët kishin ndikim tek zoti Flynn.

Gjithashtu të hënën, tre ish-zyrtarë të administratës Obama thanë se ish Presidenti e kishte paralajmëruar zotin Trumpin që të mos e merrte si këshilltar zotin Flynn. Paralajmërimi ishte bërë gjatë një takimi që ajo pati me të në Zyrën Ovale menjëherë pas zgjedhjeve të nëntorit.

Ish-zyrtarët thonë se zoti Obama ngriti pranë zotit Trump shqetësimet e përgjithshme rreth gjeneralit Flynn dhe i tha presidentit të ardhshëm se mund të gjendeshin njerëz më të mirë për postin e këshilltarit të sigurimit kombëtar.

Alarm për një goditje elektromagnetike të Koresë së Veriut mbi SHBA

Koreja e Veriut mund të përgatisë një goditje elektromagnetike në SHBA me anë të dy satelitëve të saj që tashmë rrotullohen mbi Amerikë, paralajmërojnë ekspertët.

Ka frikë që Pheniani po krijon fshehurazi aftësinë për të shpërthyer një armë bërthamore në lartësitë e hapësirës, duke vendosur një EMP që do të copëtonte sistemet elektrike më poshtë me rezultate katastrofike, shkruan britanikja “Daily Mail”.

Koreja e Veriut ka dy satelitë të vëzhgimit të tokës të lëshuara në vitet 2012 dhe 2016, ku secilit prej tyre i duhet 74 minuta për t’u rrotulluar rreth orbitës së tokës.

Dr Peter Vincent Pry, drejtor ekzekutiv i Task Force mbi Sigurinë Kombëtare në SHBA thotë se Koreja e Veriut po i pozicionon satelitët satelitët e saj në një “epokë bërthamore të raketave, versionin e kiberazheve (cyberage)” të diplomacisë së betejës në mënyrë që ata të kenë gjithmonë njërin prej satelitëve mbi SHBA’të ose afër tyre.

Me siguri, Pheniani mund të jetë frymëzuar nga një plan i Bashkimit Sovjetik për të sulmuar Amerikën me një goditje elektromagnetike gjatë Luftës së Ftohtë.

Obama e kishte paralajmëruar Trumpin për Mike Flynn dhe Korenë Veriore

Ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama, e kishte paralajmëruar presidentin e tanishëm Donald Trump kundër emërimit të Mike Flynn si këshilltar të tij të sigurisë kombëtare, tre zyrtarë të ish-Administratës Obama kanë thënë për NBC News.

Paralajmërimi, i cili nuk ishte raportuar më herët, erdhi më pak se 48 orë pas fitores së Trumpit në zgjedhjet e nëntorit, kur të dy u ulën për të biseduar për 90 minuta në Zyrën Oval, transmeton Express.

Këta zyrtarë kanë thënë se Obama e kishte bërë të qartë se nuk ishte adhurues i Michael Flynn. Por, një zyrtar tjetër ka thënë se komenti i Obamas u duk se u bën si në shaka.

Ky zbulim vjen në një ditë kur ish-Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Sally Yates, pritet që të dëshmojë se Flynn e gënjeu Shtëpinë e Bardhë për kontaktet e tij me ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara.

Paralajmërimi i Obamas u bë para se të ngreheshin shqetësimet në Shtëpinë e Bardhë rreth kontakteve të Flynnit me ambasadorin rus, ka thënë njëri prej zyrtarëve. Obama bëri një paralajmërim të përgjithshëm se ai besonte se Flynn nuk ishte i përshtatshëm për një post aq të lartë në Administratën Trump, shtoi ky zyrtar.

Dy zyrtarët po ashtu thanë se Obama e kishte paralajmëruar Trumpin edhe për Korenë Veriore duke i kërkuar që të ishte syhapur.

SHBA paralajmëron Danimarkën për gazin rus

SHBA deklaroi se është kundër kalimit të tubacionit të “Nord Stream 2” nëpërmjet kufijve të Detit Baltik në Danimarkë, që mundëson që gazi natyror i Rusisë të arrijë në Gjermani

KOPENHAGË – SHBA-ja ka deklaruar se është kundër kalimit të tubacionit të “Nord Stream 2” nëpërmjet kufijve të Detit Baltik në Danimarkë, i cili do të mundësojë që gazi natyror i Rusisë të arrijë në Gjermani.

Zv/ministri i Energjisë së SHBA-ve, Robin Dunnigan në një deklaratë për gazetën ‘Berlingske’ të Danimarkës tha se nuk është e logjikshme që tubacioni “Nord Stream 2” të kalojë nëpërmjet kufijve detarë të Danimarkës në Detin Baltik.

Dunnigan tha se qeverisja e Kremlinit përdor gazin natyror si kartë kur dëshiron ta shkatërrojë një shtet. Ai kërkoi nga Danimarka që të mos lejojë që ky projekt të kalojë përmes territorit të saj.

Disa politikanë të Danimarkës mendojnë se Evropa është shumë e varur nga gazi natyror i Rusisë. Edhe qeveria mendon se vendimi lidhur me temën duhet të merret nga Komisioni i Bashkimit Evropian (BE). Partia Demokrate Sociale dhe ajo Socialiste Liberale mbështesin qeverinë lidhur me këtë temë.

Ministri i Energjisë së Danimarkës, Lars Christian Lilleholdt më parë ka deklaruar se kjo është jo vetëm çështje e Danimarkës por edhe e Evropës.

Dy zyrtarë të administratës Obama do të dëshmojnë për “ndërhyrjen ruse” në zgjedhje

Dy zyrtarë të lartë të administratës së ish-presidentit Barack Obama, më 8 maj do të dëshmojnë para një komiteti të Senatit, si pjesë e hetimit për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara më 2016.

Para Komitetit për Drejtësisë të Senatit do të dëshmojë, Sally Yates, e cila qëndroi në administratën Trump përpara se të largohej nga puna 10 ditë më pas. James Clapper, që ka shërbyer si drejtor i inteligjencës kombëtare në administratën Obama, po ashtu do të dëshmojë para këtij komiteti.

Senati dhe komitetit për inteligjencë të Dhomës së Përfaqësuesve po ashtu janë duke hetuar ndërhyrjen e Rusisë në fushatën zgjedhore dhe për çfarëdo lidhje që mund të ketë pasur në mes të Moskës dhe ekipit të Trumpit.

Yates pritet të dëshmojë për atë se çfarë dinte administrata e Trumpit për komunikimet me zyrtarët rusë para dhe pas zgjedhjeve, të ish-këshilltarin e presidentit për siguri kombëtare, Michael Flynn.

Flynn u largua nga puna nga presidenti Donald Trump më 13 shkurt, vetëm 24 ditë pasi kishte marrë detyrën.

Trump kishte deklaruar se e ka përjashtuar nga puna Flynnin për shkak se ai kishte gënjyer se kishte biseduar me ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara gjatë periudhës tranzitore të pushtetit në SHBA.

Ndërkaq, Clapper me gjasë pritet të dëshmojë në atë se a ka ndonjë provë se anëtarët e ekipit tranzitor të Trumpit, kanë bashkëpunuar me Rusinë për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane.

Hillary Clinton bën thirrje në mbrojtje të “Obamacare”

Pasi Presidenti amerikan Donald Trump e shpalli “në thelb të vdekur” ligjin për kujdesin shëndetësor të administratës Obama, sepse Dhoma e Përfaqësuesve në Kongres kaloi me një shumicë të ngushtë projek-ligjin që shfuqizon dhe zëvendëson ligjin e njohur si “Obamacare.”, ka reaguar me një tweet në Twitter Hillary Clinton:

“Një dështim i turpshëm i oplitikës dhe moralit të GOP (Partia Republikane) sot, Do ta vazhdojmë luftën në emër të miliona familjeve që do të dëmtohen nga veprimet e tyre”.

Pas dështimit të përpjekjes së parë, administrata e re u përfshi në negociata intensive. Presidenti Trump dhe nënpresidenti Mike Pence ia dolën të ofrojnë një variant që mori votat e mjaftueshme për të vazhduar debatin në Senat. Shtëpia e Bardhë pritet të përballet me sfidën e fortë të miratimit të ligjit në Senat, ku diferenca mes votave është më e ngushtë.

Por presidenti Trump premtoi fitore, ndërsa festonte me republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve miratimin e projekt-ligjit republikan për të shfuqizuar disa klauzola dhe për të zëvendësuar disa të tjera nga ligji “Obamacare” për kujdesin shëndetësor.

SHBA, papunësia më e ulëta në 10 vjet

Ekonomisë amerikane iu shtuan 211 000 vende të reja pune gjatë muajit prill.

Kjo shihet si një shenjë bindëse se rënia ekonomike në tre muajt e parë të vitit mund të jetë e përkohshme.

Sipas Departamentit të Punës, shkalla e papunësisë u ul në 4.4 për qind, pika më të ulët në një dekadë, nga 4.5 për qind që ishte në muajin mars.

Gjatë këtij viti, mesatarisht janë shtuar 185,000 vende të reja pune në muaj, duke përkuar me ritmin e fortë të vitit të kaluar.

Ky është një tregues se deri më tani zhvillimi i tregut të punës nën Presidentin Donald Trump ngjan shumë me atë të vitin 2016 nën presidentin Barack Obama.

Trumpi më 25 maj do të takohet me liderët e BE-së

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump do të takohet me liderët më të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel, gjatë turneut të tij të parë jashtë vendit si president, kanë konfirmuar zyrtarët evropianë.

Trump do të takohet me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe me atë të Këshillit të Evropës, Donald Tusk më 25 maj, në ditën kur presidenti amerikan do të marrë pjesë në samitin e NATO-s.

“E konfirmuar Tusk dhe Junker do të takohen me presidentin Trump në Bruksel më 25 maj”, ka shkruar në Twitter, Preben Aamann, zëdhënës i Tuskut.

Trump ka irrituar liderët evropianë, pasi ka parashikuar se edhe vende të tjera do “të largohen” nga BE-ja, pas Britanisë së Madhe.

Juncker ka bërë shaka duke thënë se Trump po inkurajon lëvizjet për pavarësi të shteteve në SHBA, nëse ai vazhdon të shpreh mbështetje për Brexit-it.

Por së fundmi, Trump ka shprehur mbështetjen për Bashkimin Evropian.

Trump më 4 maj ka thënë se do të nisë turneun e parë, ku do të qëndrojë në Arabinë Saduite, Izrael dhe Vatikan.

SHBA zhvendos një seli ushtarake dhe 100 trupa në Poloni

Tanket e SHBA-së në Poloni

 

Misioni në Evropë i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara ka thënë se 100 trupa dhe selia e tyre taktike janë zhvendosur nga Gjermania në Poloni, për të ndihmuar forcat amerikane që tashmë janë të vendosur në atë rajon.

Rreth 6 mijë trupa amerikane janë vendosur këtë vit në këtë rajon, pas veprimeve të Rusisë në lindje të Ukrainës. SHBA ka kërkuar po ashtu prezencë më të madhe të trupave aleate.

Misioni i Atlantikut, mision i SHBA-së në Evropë, ka thënë se selia e tyre taktike, në nivel të divizionit është rivendosur më 29 prill në qytetin perëndimor të Poznanit, për të komanduar forcat në rajon, ku SHBA nuk ka pasur prezencë të konsiderueshme ushtarake në të kaluarën.

Rajoni përfshinë Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Poloninë, Gjermaninë, Sllovakinë, Hungarinë, Rumaninë dhe Bullgarinë.

Misioni ka thënë se kjo zhvendosje do të rrisë aftësinë për të reaguar më shpejt dhe për tu mbrojtur në mënyrë më efikase nga çdo kërcënim.

SHBA: Ligjvënësit mbështesin masa të reja kundër ndikimit të Rusisë

Pamje nga Kremlini

 

Kongresi në SHBA ka autorizuar 100 milionë dollarë, në përpjekje për të luftuar “ndikimin dhe agresionin rus” dhe mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile në Evropë dhe Euroazi.

Ligjvënësit amerikanë më 4 maj kanë mbështetur një masë që imponon kufizime të reja dhe mbikëqytjen e diplomatëve rusë në Shtetet e Bashkuara- një masë që Moska e ka paralajmëruar SHBA-në që të mos e vendos.

Të dy përpjekjet u përfshinë në buxhetin 1.1 trilion dollarësh, që do të financojë qeverinë federale, i cili u miratua nga Senati. Tani ai do të dërgohet për nënshkrim tek presidenti, Donald Trump.

Fondi prej 100 milionë dollarësh është produkt i disa propozimeve që kanë qarkulluar në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin amerikan muajt e fundit, pasi ligjvënësit kanë kërkuar që të ndalojnë ndërhyrjen e Rusisë në Evropë dhe gjetkë.

Një numër i madh i demokratëve dhe republikanëve kanë vënë në dukje rritjen e lajmeve të rrejshme, financimet e huaja për partitë politike, propagandën dhe aktivitetet e tjera të fshehta, si indikacione për një përpjekje agresive ruse për të ndërhyrë ose për të përmbysur qeveritë që duken armiqësore ndaj Moskës.

Fushatat zgjedhore në Francë dhe Gjermani kanë rënë nën hijen e dyshimeve për përfshirjen e Rusisë si dhe zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në SHBA.

Fondi prej 100 milionë dollarëve i quajtur “Fondi i Ndikimit rus”, është dedikuar posaçërisht për grupet “e shoqërisë civile të përfshira në sundimin e ligjit, media, programe kibernetik dhe të tjera në Evropë, përmes së cilave forcohen insitutcioneve dhe proceset demokratike që kundërshtojnë ndikimin dhe agresionin rus”, thuhet në këtë legjislacion.

Votohet projektligji që shfuqizon Obamacare

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama

 

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka kaluar një projektligj përmes së cilit do të zëvendësohen pjesët kryesore të ligjit të kujdesit shëndetësor, të njohur si Obamacare.

Më 4 maj, 217 ligjvënës votuan pro ndryshimit, ndërkaq 213 ishin kundër. Për të kaluar ky projektligj, ishin të nevojshme 216 vota.

Megjithatë, ky projektligj duhet të votohet në Senat, ku republikanët kanë 52 vota, ndërkaq 48 kanë demokratët. Ndërkaq, 60 vota janë të nevojshme që Senati të kalojë këto ndryshime.

Presidenti Donald Trump e ka pasur shfuqizimin e Obamacare premtim kryesor të fushatës së tij.

Projektligji i Republikanëve i quajtur Akti Amerikan i Kujdesit Shëndetësor, do të shfuqizojë shumicën e taksave që lidhen me Obmacare dhe do t’i jap fund dënimit ndaj amerikanëve që nuk kanë sigurim shëndetësor. Gjithashtu do të shkurtohen fondet për Medicaid, që ndihmon në sigurimin e të varfërve.

Përpjekja e parë për ta rrëzuar këtë ligj dështoi në mujain mars, edhe pse Partia Republikane, nga e cila vjen Trump, kontrollon të dyja dhomat legjislative.

SHBA lëshon një raketë të fuqishme nga Kalifornia, për t’i dhënë mesazh Kim Jong Un-it

Forcat ajrore amerikane njoftuan se kishin kryer lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale (ICBM) të paarmatosur, një test i kryer që nga Kalifornia.

“Raketa Minuteman III u lëshua nga baza e Vandenbergut” sipas një komunikate të komandantit operacional të ushtrisë ajrore.

Raketa përshkoi rreth 6 700 kilometra para zbritjes pranë një ishulli koralor në oqeanin Paqësor në ishujt Marshall ku ndodhet në një qendër ushtarake amerikane për testimin e raketave balistike.

“Bëhet fjalë për një test rutinë dhe nuk nënkupton një demostrim force në kuadër të tensionit me Korenë e Veriut për çështjen e programeve bërthamore dhe balistike”, deklaroi një zëdhënës i komandantit operacional, Joe Thomas, ehd epse mediat kane spekulluar se është një mesazh për Kim Jong-un.

Raketa Minuteman III, që mund të pajiset me një kokë bërthamore, është testuar me të njëjtën mënyrë rreth katër herë në vit”, theksoi një zëdhënëse tjetër e komandës operacionale, Linda Frost.Express

Tillerson: Midis SHBA-së dhe Rusisë “nuk ka pothuajse fare besim”

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson

 

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, tha se, tash për tash, “nuk ka pothuajse fare besim” midis SHBA-së dhe Rusisë.

Tillerson i përmendi marrëveshjet për kontrollin e armëve dhe Ukrainën si zona ku, siç tha, Moska “nuk është e dobishme sot”.

Ai i bëri këto komente për stafin në Departamentin e Shtetit në Uashington, derisa prezantoi të ardhmen e këtij institucioni nën presidentin Donald Trump dhe përballë reduktimeve të mundshme të buxhetit të tij.

“Po bëjmë disa përpjekje për të stabilizuar fillimisht marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Rusisë. Ushtruesi i detyrës së zëvendëssekretarit të Shtetit, Thomas Shannon, është duke udhëhequr përpjekjet e një grupi punues, për të parë nëse mund t’i adresojmë disa gjëra që irritojnë marrëdhëniet, që na e bëjnë të vështirë të bisedojmë me njëri-tjetrin”, tha Tillerson.

Ai tha se planifikon të diskutojë për bashkëpunim në zgjidhjen e konfliktit në Siri me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, në margjina të një mbledhjeje të Këshillit Arktik në Alaskë, më 10-11 maj.

Tillerson po ashtu tha se SHBA është duke përgatitur sanksione të reja kundër Koresë së Veriut në përgjigje të programit të vazhdueshëm bërthamor të Phenjanit.

Ish-këshilltarja e Obamës nuk dëshmon për “ndërhyrjen ruse” në zgjedhje

Susan Rice

 

Këshilltarja për siguri kombëtare e ish-presidentit amerikan, Barack Obama, refuzoi të dëshmojë para Senatit për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Avokatja e Susan Rice i njoftoi liderët e Komitetit të Senatit për Drejtësi.

Dy ish-zyrtarë të tjerë të Obamës pritet të dëshmojnë: ish-ushtruesja e detyrës së prokurores së përgjithshme, Sally Yates, dhe ish-drejtori i inteligjencës kombëtare, James Clapper.

Rice u bë pjesë qendrore e hetimeve të Komitetit kur presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ajo mund të ketë kryer krim kur ka kërkuar nga analistët e inteligjencës të zbulojnë emrin e një bashkëpunëtori të Trumpit, të përmendur në një raport të inteligjencës.

Rice tha se nuk ka bërë asnjë gabim.

Avokatja e saj, Kathryn Ruemmler, tha se Rice i mbështet hetimet e Komitetit, porse është e rrallë për Kongresin të kërkojë dëshmi nga këshilltarja e ish-presidentit për siguri kombëtare.

Lajmet e rreme dhe sfidat e gazetarisë

Në SHBA, mediat e financuara me fonde publike, private dhe të qeverisë federale thonë se gazetaria e sotme përballet me shumë sfida, duke përfshirë lajmet e rreme. Me rastin e 3 majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Bordi i Guvernatorëve të Transmetimeve dhe Fakulteti i Mediave të Universitetit George Washington mbajtën një forum mbi rëndësinë e mbrojtjes së lirisë së shtypit dhe sigurisë së gazetarëve si dhe mbi rolin që luajnë gazetarët amerikanë në trasmetimet për jashtë.

Ekspertët në forum folën mbi urinë në rritje të publikut për informacion të saktë dhe përpjekjet e disa qeverive për ta kufizuar këtë lloj informacioni.

“Ata përpiqen të kontrollojnë informacionin në vendet despotike por edhe në disa vende që neve mund të na duken demokratike. Kontrolli i informacionit është bërë një mjet kryesor i qeverisë së tyre. Në këto vende është bërë jashtëzakonisht e vështirë madje e rrezikshme të mbledhësh lajme.”

John Lansing, kreu i Bordit të Transmetimeve, tha se informacioni në këto vende po kthehet gjithnjë e më shumë në një armë.

“Shihni se çfarë po ndodh dhe kjo vjen nga Kremlini. Nuk janë thjesht lajmet e rreme. Është më shumë një strategji për të treguar se faktet e thjeshta nuk ekzistojnë më. Tani faktet po sfidohen në mbarë botën nga këto regjime dhe kjo po ndodh edhe në Turqi.”

Javën e kaluar organizata Reporterët pa Kufij publikoi treguesin vjetor të lirisë së shtypit në botë. Rusia zinte vendin e 148 nga 180 vende gjithsej. Organizata thotë se nga viti 2012, mediat kryesore të pavarura ose janë vënë nën kontrollin e qeverisë, ose janë detyruar të zhduken. Turqia ra në vendin e 155, ose 5 vende më poshtë.

Sipas organizatës Freedom House, liria e shtypit në botë ka rënë në nivelin më të ulët në 13 vjet. Një nga arsyet janë kërcënimet e reja ndaj gazetarëve dhe mediave në demokracitë e mëdha.

“Jo vetëm që është e vështirë për ne ta sjellim botën më pranë amerikanëve, por po bëhet gjithnjë e më e vështirë për ta sjellë Amerikën në botë për shkak të klimës që është krijuar. Nuk është vetëm çështja e ligjit apo e rrezikut, por e respektimit të shtypit”, thotë Elise Labott, gazetare e rrjetit CNN.

Presidenti Donald Trump e ka quajtur median “armik të popullit amerikan” dhe ka akuzuar disa media amerikane se përhapin “lajme të rreme”. Organizata Reporterët pa kufij thotë se sulmet e zotit Trump ndaj mediave po i nxitin udhëheqësit e tjerë në botë të keqtrajtojnë mediat e tyre.

Në përgjigje të pyetjeve nëse Zëri i Zmerikës do të mbetet i paanshëm dhe nuk do të bëhet një zë i administratës Trump, zoti Lansing tha se njerëzit duhet të kuptojnë se një gjë e tillë do të ishte e paligjshme në bazë të Kartës së Zërit të Amerikës.

Clinton merr përgjegjësi për humbjen, por fajëson Rusinë dhe FBI-në

Në intervistën e saj të parë të gjatë, që nga humbja e zgjedhjeve presidenciale nëntorin e vitit të kaluar, Hillary Clinton pranoi përgjegjësinë e saj për rezultatin. Por ajo fajësoi gjithashtu Rusinë si dhe drejtorin e FBI-së James Comey për ndihmën që siç tha, i dhanë rivalit republikan Donald Trump të shënojë atë që është cilësuar, si një fitore e papritur. Ish sekretarja amerikane e shtetit bisedoi me gazetaren e njohur Christine Amanpour gjatë një forumi të grave në Nju Jork.

Sipas zonjës Hillary Clinton, nëse zgjedhjet do të ishin zhvilluar më 27 tetor, ajo sot do të ishte presidente.

Isha drejt fitores deri në momentin kur kombinimi i letrës së Jim Comey më 28 tetor me WikiLeaksin rus, ngritën dyshime në mendjet e njerëzve që ishin të prirur të votonin për mua, por që u frikësuan“.

Ish kandidatja presidenciale e Partisë Demokrate kryesonte në sondazhet parazgjedhore deri në momentin kur drejtori i FBI njoftoi se do të rihapte një hetim lidhur me përdorimin nga zonja Clinton të emaileve personale ndërsa ishte Sekretare e Shtetit.

Edhe pse zonja Clinton nuk u akuzua për ndonjë krim, fushata e saj pësoi një goditje fatale vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve. Në janar 2017, komuniteti amerikan i zbulimit tha se kishte arritur në përfundimin se presidenti rus Vladimir Putin kishte urdhëruar një fushatë për të minuar zgjedhjen e zonjës Clinton dhe për të ndihmuar zotin Trump të fitonte.

Hillary Clinton, ish zonjë e parë, ish senatore si dhe ish sekretare e shtetit, thotë se është kthyer në një qytetare politikisht aktive. Në intervistën e dhënë dje ajo foli dhe mbi zhvillimet politike botërore aktuale, përfshirë kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut. Sipas saj fuqia ushtarake është vetëm një nga mjetet për mbrojtjen e interesave amerikane dhe se diplomacia e zhvillimi janë po aq të rëndësishëm.

Koreano veriorët kanë qenë gjithnjë të interesuar për të tërhequr amerikanë në negociatat, jo vetëm Kim Jong Un, por dhe babai i tij më parë. Kjo për të ngritur statusin dhe pozicionin e tyre. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë drejtim. S’mund të ofrosh negociata në mungesë të një kuadri strategjik më të gjerë, në mënyrë që Kina, Japonia, Rusia dhe Korea e Jugut të ushtrojnë presion mbi regjimin, për t’i sjellë ata më në fund në një tryezë negociatash me qasje realiste për ndryshim“.

Zonja Clinton njoftoi se po shkruante një libër për përvojën e saj si gruaja e parë e kandiduar për presidente nga një parti e madhe politike.

Shefi i FBI-së përballë pyetjeve të vështira në Senat

Shefi i FBI-së James Comey tha se nëse dikush mendon se agjencia e tij mund të ketë pasur ndikim te fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 2016-s, kjo e bën të ndjejë një farë neverie.

Disa ditë përpara votimeve, FBI-ja rihapi një hetim rreth përdorimit të një serveri privat nga kandidatja demokrate Hillary Clinton kur ishte sekretare e shtetit.

Zoti Comey, drejtor i Byrosë Federale të Hetimeve, agjencia kryesore ligjzbatuese e vendit, tha përpara një komisioni të Senatit se kishte qenë në një dilemë të madhe para se ta bënte publik rihapjen e hetimit.

Hetimi rihapej ndërkohë që vetëm disa muaj më parë hetuesit kishin deklaruar se zonja Clinton nuk kishte bërë asgjë të paligjshme. Por zoti Comey tha se do të kishte qenë “katastrofike” nëse nuk do ta bënte publik informacionin.

“Ishte një zgjedhje e vështirë, por unë ende besoj se ishte e drejtë,” tha shefi i FBI-së. “Të fshihje këtë hetim, kjo do të kishte qenë vdekje për FBI-në”, tha ai.

FBI-ja normalisht përpiqet të mos i bëjë publike hetimet rreth kandidatëve përpara zgjedhjeve, në mënyrë që të mos ndikojë në rezultatin e votimit.

Por zoti Comey tha se “për asnjë çast të vetëm” nuk kishte menduar se rihapja e hetimit mund ta ndihmonte zotin Trump të fitonte në zgjedhjet e nëntorit.

Të martën, zonja Clinton fajësoi pjesërisht zotin Comey për humbjen në zgjedhje. Ajo tha se ishte duke fituar, kur vetëm 11 ditë përpara votimeve, zoti Comey bëri publik hetimin e ri.

Hetimi erdhi pasi FBI-ja zbuloi në një kompjuter mijëra e-maile të zonjës Clinton, të kohës kur ajo kishte qenë sekretare e shtetit.

Kompjuteri i përkiste ish-kongresmenit Anthony Weiner, bashkëshorti i ndarë i zonjës Huma Abedin, ndihmëse kryesore e zonjës Clinton.

Botohet libri i ri i Ivanka Trumpit

Libri i botuar nga “Penguin Random House”, ka filluar të distribuohet në librari nëpër tërë vendin duke filluar nga data 2 maj

NEW YORK – Del në treg libri i ri i vajzës dhe këshilltares së presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka Trump, i cili përmban këshilla për gratë.

Libri i Ivanka Trump “Women Who Work: Rewriting the Rules for Success” (Gratë që punojnë: Rishkrim i rregullave të suksesit), i botuar nga “Penguin Random House”, ka filluar të distribuohet në librari nëpër tërë vendin duke filluar nga data 2 maj. aa

Zyrtarët e inteligjencës: Rusia me “sukses” arriti të krijojë mosmarrëveshje në SHBA

Rusia arriti të krijonte mosmarrëveshje politike në Shtetet e Bashkuara, duke ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, e cila do ta nxisë Moskën që të provojë sërish të bëjë një gjë të tillë, kanë thënë zyrtarë të lartë të inteligjencës amerikane.

Ish-drejtori i Inteligjencës Kombëtare, James Clapper dhe ish-kryetari i Komitetit për Inteligjencë, Mike Rogers, gjatë një diskutimi në universitetin Harvard, janë pajtuar se Rusia ka gjasa që të provojë sërish të arrijë këtë qëllim edhe në zgjedhjet që do të mbahen këtë vit në Francë dhe Gjermani.

“Qëllimi i tyre ishte që të krijojnë pakënaqësi dhe mosbesim në zgjedhjet tona. Ata donin që ne të grindeshim kur ato të mbaronin”, tha Rogers në një ngjarje në Kembrixh. “Është duke ndikuar në procesin legjislativ sot. Ky është shumë sukses”.

Clapper tha se Rusia që një kohë të gjatë ka kërkuar që të ndikojë në sjelljen e votuesve ameriaknë por Moska, sipas tij, zbuloi se këtë mund ta bëjë me kosto të ulët, duke përdorur rrjetet sociale, si Facebook-u, për të shpërndarë informacione të rreme.

“Kjo është sjellja më agresive dhe më e drejtpërdrejtë që ata kanë pasur në zgjedhjet tona”, tha Clapper.

Trumpi dhe Putini biseduan për Sirinë dhe Korenë e Veriut

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, kanë folur në telefon për herën e tretë, që prej se Trump u zgjodh presidnet.

Biseda e zhvilluar më 2 maj ishte para ndërmjet dy liderëve që prej se SHBA kreu sulmin me raketa ndaj një baze ajrore siriane, në përgjigje të sulmit kimik ndaj civilëve të kryer nga forcat e qeverisë siriane.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, kjo bisedë është përshkruar si “bisedë e mirë”, ku dy liderët kanë biseduar për luftën në Siri, për “punën e përbashkët për të zhdukur terrorizmin në Lindjen e Mesme” dhe “për të zgjidhur më së miri situatën shumë të rrezishme në Korenë e Veriut”.

Shtëpia e Bardhë po ashtu ka njoftuar se Uashingtoni do të dërgojë përfaqësues në bisedimet e paqes për Sirisë, që do të mbahen më 3 dhe 4 maj në Astana të Kazakistanit.

Ndërkaq Kremlini ka thënë se dy liderët kanë koordinuar veprimet e të dyja shteteve në luftën kundër terrorizmit.

Moska ka thënë po ashtu se Trump dhe Putin janë pajtuar për të rritur dialogun në mes të Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson dhe homologut të tij rus, Sergei Lavrov, në përpjekjet për të gjetur zgjidhje për luftën në Siri.

Kremlini ka thënë se dy liderët kanë shprehur mbështetjen e tyre për idenë e organizimit të një takimi kokë më kokë, në margjinat e samitit të G20-ës, që do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Hamburg të Gjermanisë.

Në çështjen e Koresë së Veriut, Kremlini ka thënë se Putini i ka bërë thirrje Trumpit të tregojë përmbajtje dhe të bëjë përpjekje për të ulur tensionet.

Tensionet në Gadishullin Korean janë rritur pas programit bërthamor dhe testeve të raketave balistike të Koresë së Veriut.

Senatori John McCain: “Ballkani po nxehet përsëri dhe Washingtoni nuk duket gjëkundi”

Në një opinion për The Washington Post, Senatori John McCain ndër të tjera shkruan: “Këtë muaj, gjatë udhëtimit nëpër shtatë vende në Evropën Juglindore, u ndala në Sarajevë dhe qëndrova mbi Urën Latine, në këndin e rrugës që ndryshoi botën, ku një plumb vrau Archduke Franz Ferdinand dhe shkaktoi një cikël dhune dhe lufte në gjysmën e parë të shekullit të 20 dhe ricikloi luftë përsëri në Evropën Juglindore  në dekadën e fundit të shekullit.

Ishte një kujtim i zymtë i një adazhoje të vjetër se, ndërsa historia nuk e përsërit veten, ajo bën rimë. Evropa Juglindore, një rajon që ndodhet në udhëkryqin e historisë, përsëri përballet me sfida në rritje. Dhe Shtetet e Bashkuara duhet të fillojnë t’i kushtojnë më shumë vëmendje” nënvizon Senatori McCain, që ishte edhe kandidat për president të SHBA, i cili në vijim shkruan se: “Rritja ekonomike në pjesën më të madhe të rajonit ka qenë e pamjaftueshme për t’u dhënë të rinjve mundësinë për të ndjekur e përmbushur qëllimin e jetës në vendet e tyre të origjinës. Administrata e fryrë, rregullat bizantine dhe korrupsioni i përhapur janë pengesë për realizimin e potencialit të pashfrytëzuar ekonomik të këtij rajoni.

Më tutje Senatori Mccain nënvizon se: “Tensionet politike janë në rritje. Maqedonia është në mes të një krize politike. Partia opozitare e Shqipërisë ka bojkotuar parlamentin që nga shkurti.

Pasiguria vazhdon për të ardhmen e Bosnjës dhe Herzegovinës të bashkuar. Provokimet e fundit kanë përkeqësuar tensionet midis Kosovës dhe Serbisë, duke penguar përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.”

Dhe më tutje shton: “Vetëm vitin e kaluar, 19 të dyshuar u arrestuan në Kosovë në një komplot të organizuar nga Shteti Islamik për të kryer një akt terrorist gjatë një ndeshje futbolli midis Izraelit dhe Shqipërisë. Ndërsa Shteti Islamik përballet me disfata të pashmangshme në Mosul dhe Raqqa, terroristët tashmë po marrin urdhra për të sulmuar objektivat perëndimorë, potencialisht duke përfshirë disa në Evropën Juglindore.”

Duke paraqitur këtë situatë kritike Senatori McCain në opinionin e tij botuar në WP vë theksin se “Duke patur parasysh këto sfida, nuk është për t’u habitur se në çdo ndalesë që kam bërë, kam dëgjuar të njëjtën lutje për rivendosjen e udhëheqjes amerikane. Shtetet e këtij rajoni janë të gatshëm për t’u përballur me sfidat e tyre. Por ata nuk mund ta bëjnë atë vetëm. Dhe partneri i tyre i zgjedhur janë Shtetet e Bashkuara. Pra, çfarë mund të bëjmë tani?

Së pari, Shtetet e Bashkuara duhet të shfaqen. Një kryeministër i një vendi europiano- juglindor më tha, se në asnjë rajon tjetër të botës fjalët e liderëve amerikanë nuk kanë peshë më të madhe për të nxitur një veprim kuptimplotë drejt progresit. Kjo është arsyeja pse angazhimi i vazhdueshëm dhe vizitat më të shpeshta në rajon nga zyrtarët e lartë të SHBA-ve në rajon janë kaq të rëndësishme.

Së dyti, Shtetet e Bashkuara duhet të vijojnë mbështetjen e tyre për vendet e Evropës Juglindore për integrimin e tyre në institucionet Euro-Atlantikke që janë NATO dhe Bashkimi Evropian. Është ky proces i integrimit që ofron shpresën më të madhe për paqen dhe prosperitetin në rajon. Kjo do të thotë që Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin fuqimisht programet që ndihmojnë forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, hapa thelbësorë në rrugën e integrimit euroatlantik. Ne gjithashtu duhet të inkurajojmë Bashkimin Evropian, pavarësisht nga sfidat e tij, për të mbajtur derën hapur për kombet e Evropës Juglindore që ende shpresojnë të bashkohen.

Së fundi, Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin të drejtën e çdo vendi të Evropës Juglindore për të zgjedhur të ardhmen e vet pa ndërhyrje të jashtme, qofshin ato të një Rusie agresive që kërkon të reduktojë kufijtë e Europës përmes dhunës ose terroristëve që kërkojnë të shkatërrojnë Qytetërimin tonë të përbashkët. Zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit të sigurisë me aleatët dhe partnerët tanë rajonalë është thelbësore.

Pas dy luftërave botërore, Shtetet e Bashkuara u angazhuan për një Europë që të jetë e tërë, e lirë dhe në paqe. Ne e bëmë këtë sepse një brez i shtetarëve e kuptoi se lidershipi amerikan ishte thelbësor për arritjen e paqes dhe prosperitetit në Evropë, e cila ishte dhe vazhdon të jetë në interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, ne kemi bërë zgjedhjet dhe sakrificat për ta përkrahur këtë angazhim: në mbarë Evropën gjatë Luftës së Ftohtë, në Bosnje dhe Kosovë në vitet 1990, dhe sot në vendet në krahun lindor të NATO-s. Ne duhet të jemi të përgatitur që ta përkrahim këtë angazhim përsëri në Evropën Juglindore, sepse mësimet e historisë janë të qarta: Nëse e injorojmë këtë rajon, kjo do të përbëjë rrezik për ne./ Përkthimi jo integral nga Elida Buçpapaj

https://www.washingtonpost.com/news/democracy-post/wp/2017/04/27/the-balkans-are-heating-up-again-and-washington-is-nowhere-to-be-seen/?utm_term=.233c2413d95b


Send this to a friend