VOAL

VOAL

Punonjësit e “New York Times” protestojnë kundër shkurtimeve të vendeve të punës

Grupi protestoi para selisë së gazetës legjendare në Nju Jork, duke thirrur slogane të tilla si: “Ata thonë shkurtime, ne themi luftojmë”

 

SAN FRANCISCO – Mbi 400 punonjës të “New York Times” braktisën vendet e punës për të treguar solidaritet me redaktorët e sektorit për kontroll final të ekzemplarëve të gazetës, që përballen me shkurtime të vendeve të punës.

Grupi protestoi para selisë së gazetës legjendare në Nju Jork, duke thirrur slogane të tilla si: “Ata thonë shkurtime, ne themi luftojmë”.

Redaktori ekzekutiv i gazetës, Dean Baquet dhe redaktori Menaxherial, Joseph Kahn, muajin e kaluar njoftuan planet për riorganizim të “dhomës së lajmeve”, (News Room) duke ulur numrin e redaktorëve që janë përgjegjës për zbulimin e gabimeve para se ekzemplari të shtypet. aa

Kissinger: Takimi Putin – Trump, mundësi e rregullimit të marrëdhënieve

Ish Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Henry Kissinger dhe presidenti rus Vladimir Putin, gjatë takimit në Moskë

 

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe presidenti rus, Vladimir Putin e kanë mundësinë e rregullimit të marrëdhënieve mes mes dy vendeve, gjatë takimit të javës së ardhshme, ka thënë diplomati amerikan Henry Kissinger.

Ai i ka bërë këto deklarata pas njoftimit se do të ndodhë takimi në mes të dy palëve.

Të dy liderët do të zhvillojnë takimin e parë ballë për ballë njëri- tjetrit në samitin G20 në Hamburg.

Ishte viti 1960 kur Kissinger pati luajtur rolin e ndërmjetësuesit në mes të Moskës dhe Uashingtonit pas ngritjes së tensioneve në mes të dy shteteve.

Kremlini i ka mohuar supozimet se Kissinger që aktualisht po viziton Moskën dhe ka mbajtur një takim me dyer të mbyllura me presidentin Putin, është duke luajtuar rolin e njëjtë edhe tani.

Duke folur në një konferencë për marrëdhënië ndërkombëtare në Moskë, ai ka përmendur edhe takimin Trump- Putin.

“Mendoj që në këtë moment vendet tona kanë përgjegjësi dhe mundësi për një përparim të dukshëm, duke rregulluar marrëdhëniet jo vetëm në mes dy vendeve por në të gjithë botën”, ka deklaruar Kissinger.

“Ngritja e tensioneve në mes të SHBA-së dhe Rusisë ka ndodhur edhe më parë dhe është tejkaluar”, ka thënë 94 vjeçari.

Takimi Kissinger-Putin ka qenë shumë privat dhe nuk është bërë e ditur se për çka saktësisht është biseduar.

 

Havai sfidon përmes gjyqit urdhrin e Trumpit për ndalim të udhëtimit

Presidenti Trump gjatë nënshkrimit të urdhrit të ndalimit

 

Havai ka nisur të sfidojë përmes gjyqit urdhrin e Trumpit për ndalimin e hyrjes në SHBA nga shtatë vende me shumicë myslimane.

Sfida e re ngrit pyetje rreth interpretimit të urdhrit, përkatësisht rreth asaj se kush është i liruar nga ky urdhër.

Gjykata Supreme e SHBA-së, gjatë kësaj jave ka liruar nga vendimi, personat të cilët kanë marrëdhënie të mira me ndonjë qytetar apo organizatë amerikane.

Mirëpo sipas një udhëzimi të Departamentit të Shtetit në SHBA, vetëm anëtarët e familjes së “ngushtë” siç janë prindërit, motrat ose fëmijët konsiderohen si kategori që mund ta lirojnë dikë nga vendimi për ndalimin e hyrjes.

Sipas po këtij udhëzimi lidhjet jo martesore, gjyshërit, apo nipat nuk janë pjesë e kësaj kategorie dhe nuk konsiderohen të afërm.

Avokati i Përgjithshëm i Havait, Doug Chin, ka thënë se disa nga familjarët e përjashtuar sipas këtij vendimi, në Havai konsiderohen familje e ngushtë andaj ky udhëzim shkel instruksionet e Gjykatës Supreme.

Gjyqtari i SHBA-së, Derrick Watson kërkoi nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, t’i përgjigjej kërkesës së Havait deri më 3 korrik.

Watson ishte një nga gjyqtarët të cilët bllokuan më parë urdhrin për ndalimin e udhëtimit.

Ky urdhër për ndalim të udhëtimit në SHBA prek qyetarët nga Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni.

Presidenti Trump do të takohet me presidentin Putin javën e ardhshme

Presidenti amerikan, Donald Trump, do të takohet për herë të parë kokë me kokë me presidentin rus, Vladimir Putin, në takimin e Grupit 20-të javën e ardhshme në Hamburg të Gjermanisë, tha Këshilltari për Siguri Kombëtare H.R. McMaster.

Ai nuk tha në takimin me gazetarë të enjten në Shtëpinë e Bardhë, nëse të dy udhëheqësit do të diskutojnë ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, kur të takohen në margjinat e takimit.

“Nuk ka një agjendë të caktuar”, tha McMaster, duke shtuar se “varet çfarë duan të bisedojnë presidentët”.

Takimi ndodhë mes hetimeve mbi pretendimet se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje nëpërmjet veprimeve që përfshijnë sulme kibernetike dhe fushata të keqinformimit.

Agjencitë amerikane të zbulimit kanë përfunduar se Rusia ishte angazhuar në një ndërhyrje të gjerë me synimin që të ndihmojë zotin Trump të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Javën e kaluar shefi i Sigurimit të Brendshëm, Jeh Johnson dhe zyrtarë të tjerë të Shteteve të Bashkuara konfirmuan ndërhyrjen ruse, por në dëshminë e tij në Capitol Hill, tha se nuk ka prova që Moska ishte në gjendje të ndryshojë votat.

Presidenti rus, Putin, ka hedhur poshtë pohimet për ndërhyrjen qeveritare ruse në sulmet kibernetike në Shtetet e Bashkuara. Ai ka thënë, megjithatë se, hakerët “patriotik” mund të kenë kryer sulme.

Disa zyrtarë të administratës së presidentit Trump duan që Shtetet e Bashkuara të jenë të kujdesshme me Rusinë derisa po zhvillohen hetimet, por presidenti Trump dhe të tjerë në administratën e tij, janë të etur të takojnë presidentin Putin dhe janë angazhuar në organizimin e një takimi tipik dypalësh.

SHBA: Gjykata Supreme vendosi për imponim të pjesshëm të ndalesës së udhëtimit të Trumpit

Pamje e ndërtesës së Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara në Uashington

 

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara e ka rrëzuar urdhrin e gjykatës më të ulët, me të cilin ishte bllokuar ndalesa e udhëtimit për shtetasit e gjashtë vendeve me shumicë myslimane, të administratës së presidentit, Donald Trump.

Ky vendim i sotëm i Gjykatës Supreme do të thotë se urdhri ekzekutiv i presidentit Trump mund të imponohet pjesërisht.

Gjykata e ka lënë një kategori të pandryshuar të mbrojtjes së personave të jashtëm, ata që janë “me pretendim të besueshëm për marrëdhënie me person ose entitet në Shtetet e Bashkuara”.

Në opinionin e sotëm të gjykatës, i cili nuk është i nënshkruar, theksohet, po ashtu, se është pajtuar për dëgjim të argumenteve për këtë rast në muajin tetor.

Ky vendim konsiderohet fitore e presidentit Trump në kundërthënien më të madhe juridike të presidencës së tij, që filloi më 20 janar të këtij viti.

Ndalesa do të imponohet për shtetasit e Iranit, Libisë, Somalisë, Sudanit, Sirisë dhe Jemenit, që përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Javën e kaluar zoti Trump tha se ndalesa do të fuqizohet 72 orë pasi të vendosë gjykata.

Administrata Trump insiston se ndalesa është e domosdoshme për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, përkundër ankesave të kritikëve që thonë se ajo i përmend myslimanët dhe kjo paraqet shkelje të Kushtetutës amerikane.

Trumpi thyen traditën e darkës së Ramazanit në Shtëpinë së Bardhë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thyer traditën gati 20-vjeçare duke mos organizuar darkën që shënon fundin e Muajit të Ramazanit.

Kjo darkë në Shtëpinë e Bardhë është mbajtur çdo vit që nga mandati i presidentit Bill Clinton.

Në të kanë marrë pjesë udhëheqës të shquar myslimanë, diplomatë dhe ligjvënës.

Raportohet se sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka refuzuar organizimin e saj.

Presidenti Donald Trump, ndërkaq, është kritikuar më herët për retorikën anti-myslimane.

Gjatë fushatës, ai ka bërë thirrje për mbikëqyrjen e xhamive në SHBA.

Statujë për sekretarin Seward që nëshkroi traktatin për blerjen e Alaskës

Alaska

Në Juneau të Alaskës do të vendoset një statujë e ish sekretarit të SHBA-së, William Henry Seward.

Kjo statujë, që do të vendoset në datën 3 korrik është punuar në shenjë nderimi për sekretarin i cili nënshkroi traktatin me Rusinë që solli Alaskën në kontrollin e SHBA-së.

Mary Becker, bashkëkryesuese e Komitetit për statujën e Sewardit, ka thënë se statuja do të përkujtojë përvjetorin e 150-të të Traktatit të vitit 1867 që e bëri Alaskën një territor të SHBA-së.

Statuja në vlerë 250,000 dollarë do të vendoset në sallën e Gjykatës Dimond.

Shtetet e Bashkuara kanë blerë Alaskën nga Rusia në vlerë të 7.2 milionë dollarëve.

Alaska u pranua si shtet i SHBA-së në vitin 1959.

Donald Trumpi mesazh urimi me rastin e Fitër Bajramit

“Në emër të popullit amerikan, unë dhe bashkëshortja ime Melania u shprehim urimet tona më të ngrohta myslimanëve, të cilët festojnë Fitër Bajramin”, është shprehur presidenti amerikan Trump

UASHINGTON – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump ka dërguar mesazh urimi me rastin e festës së Fitër Bajramit.

“Në emër të popullit amerikan, unë dhe bashkëshortja ime Melania u shprehim urimet tona më të ngrohta myslimanëve, të cilët festojnë Fitër Bajramin. Ky Bajram na kujton të falim, të mëshirojmë dhe të jemi qëllimmirë. SHBA-të japin përpjekje në mënyrë që të praktikohen këto vlera, sikurse myslimanët në rajone të ndryshme të botës”, është shprehur presidenti amerikan Trump. aa

Ish-diplomati amerikan akuzohet për spiunazh

UASHINGTON– Një ish-diplomat i SHBA-ve gjykohet me pretendim se ka zbuluar dokumente “shumë sekrete”për inteligjencën kineze.

Ish-diplomati amerikan Kevin Patrick Mallory (60), në gjykatën federale në Virginia doli para gjyqtarit i akuzuar për spiunazh.

Njoftohet se Mallory, i cili pritet të dënohet me burgim të përjetshëm, ka punuar në Departamentin Amerikan të Shtetit nga viti 1987 e deri më 1990, se ai e flet gjuhën kineze në nivel shumë të mirë dhe se gjithashtu më parë në aeroport në një çantë të tij janë gjetur 15 mijë e 500 dollarë të paregjistruar.

Gjykatësi John Gibbs në deklaratën e tij lidhur me rastin tha se Mallory i cili pretendohet se nga zyrtarët e inteligjencës kineze ka marrë 25 mijë dollarë, mund të dënohet edhe me vdekje.

Muri me Meksikën, Trumpi do të vendosë panele diellore

Nga një barrierë ndarëse dhe bllokuese, Presidenti amerikan Donald Trump synon ta shndërrojë murin e propozuar me Meksikën në një objekt teknologjik, pasi i tha mbështetësve të tij në Ajoua se mbi të mund të vendosen panele diellore.

Sipas Trump, panelet diellore do të siguronin energji të lirë dhe një mënyrë për të ndihmuar me kostot e murit, në mënyrë që edhe Meksika të paguajë më pak.

Trump shtoi se shndërrimi i murit në një gjenerator elektriciteti ishte ideja e tij.

Muri me Meksikën ishte një prej premtimeve elektorale të Trump, si edhe pagesa e tij nga Meksika, diçka për të cilën fqinji latin i Amerikës nuk humbet rast për të thënë se nuk do të paguajë as edhe një cent.

“Po mendojmë diçka unike. Bëhet fjalë për kufirin jugor ku është nxehtë dhe ka shumë diell. Po mendojmë të ndërtojmë një mur diellor që të prodhojë energji dhe të paguajë veten. Në këtë mënyrë, edhe Meksika do të paguajë shumë më pak pará dhe kjo është diçka e mirë”, tha Presidenti.

Trump i tha mbështetësve të entuziazmuar në Cedar Rapids se kjo ide s’ishte dëgjuar më parë, por mediat amerikane nuk janë dakord.

Sipas tyre, një prej më shumë se 200 kompanive që kanë paraqitur projekte për murin, kishte propozuar panelet diellore, diçka e diskutuar që më herët nga një grup akademikësh. Trump raportohet që në prill diskutoi për këtë me liderët republikanë të Kongresit.

Afrim i rrezikshëm i aeroplanit rus me atë amerikan

Një aeroplan luftarak rus dhe një aeroplan vëzhgues amerikan, kanë fluturuar rrezikshëm afër njëri-tjetri këtë javë mbi Detin Baltik, gjatë një ballafaqimi, të cilin ushtria e Shteteve të Bashkuara e konsideroi “jo të sigurt”.

Aeroplani rus e ka interceptuar aeroplanin amerikan të spiunimit, të tipit RC-135, pardje, derisa fluturonte në hapërisën ndërkombëtare, ka thënë një zëdhënëse e Pentagonit.

Sipas saj, aeroplani amerikan nuk ka bërë asgjë që do të mund e provokonte sjelljen ruse.

Kjo zëdhënëse nuk i ka konfirmuar raportet në mediat amerikane se të dy aeroplanët ishin afër në 1.5 metër larg njëri-tjetrit.

Ky ballafaqim, që ka ndodhur 40 kilometra nga rajoni i Kaliningradit, është konsideruar “jo i sigurt” për shkak se pilotët rusë kishin “kontroll të dobët të aeroplanit dhe shkallë të lartë të shpejtësisë përmbyllëse”, kumtoi ushtria amerikane.

Ministria e mbrojtjes e Rusisë e ka kontestuar përshkrimin amerikan, duke thënë se aeroplani i Shteteve të Bashkuara bëri lëvizje “provokuese” kah aeroplani luftarak rus i tipit, Su-27.

Gjatë muajve të fundit kanë ndodhur disa incidente të këtilla ndërmjet aeroplanëve luftarakë aemrikanë dhe rusë.

Trumpi takohet me homologun ukrainas Poroshenko

Presidenti Donald Trump u takua të martën me homologun e tij ukrainas, ndërkohë që janë shtuar pikëpyetjet nëse administrata e tij do të jetë e gatshme të mbrojë partnerët përballë një agresioni të mundshëm rus.

Takimi me presidentin ukrainas Petro Poroshenko u përshkrua fillimisht nga Shtëpia e Bardhë si thjesht një shtrëngim duarsh. Por dy presidentët bënë fotografi në Zyrën Ovale dhe komentuan shkurtimisht për gazetarët, pas takimeve më të gjera që zoti Poroshenko pati me Zëvendëspresidentin Mike Pence dhe këshilltarët kryesorë të sigurisë kombëtare.

Duke folur në krah të udhëheqësit ukrainas, Presidenti Trump tha se ishte “nder i madh” që takohej me zotin Poroshenko dhe se në marrëdhëniet e SHBA me Ukrainën “është bërë shumë përparim”.

Në komente nuk u përmend Rusia dhe zoti Trump nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me hetimet rreth një bashkëpunimi të mundshëm të ekipit të tij të fushatës me Rusinë gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2016-s.

Presidenti Trump mohon me forcë se ka patur ndonjë kontakt me zyrtarët rusë gjatë fushatës dhe ka komentuar në Twitter se ky hetimi është një “gjueti shtrigash” e kurdisur nga demokratët për shkak të humbjes së tyre në zgjedhje.

Zoti Trump ka thënë se shpreson të krijojë lidhje më të mira me Moskën, duke riparuar mungesën e vullnetit nga periudha e Presidentit Obama, që erdhi pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe nga mbështetja e Moskës ndaj presidentit sirian Bashar Assad, megjithë sulmet e tij kundër civilëve.

Në muajin prill, pas një sulmi të dyshuar kimik kundër civilëve në Sirinë veriore nga forcat qeveritare, zoti Trump tha se marrëdhëniet e SHBA-së me Rusinë “janë ndoshta në pikën më të ulët që kanë qenë ndonjëherë.”

SHBA, vala e të nxehtit çon në anulimin e fluturimeve

Vala e të nxehtit që ka përfshirë pjesën jug-perëndimore të Shteteve të Bashkuara ka detyruar avionët që nisen nga Feniksi i Arizonës të anulojnë fluturimet.

Të martën, temperaturat pritej të arrinin në 49 gradë celcius, çfarë e bën të pamundur për disa aeroplanë të fluturojnë.

Kompania “American Airlines” njoftoi anulimin e 38 fluturimeve prej aeroportit “Sky Harbor” të Feniksit gjatë periudhës më të nxehtë të ditës prej orës 3 deri në 6 pasdite me orën lokale.

Shumica e fluturimeve të anuluara janë dictanca të shkurtra, fluturime rajonale kjo për shkak të avionëve të vegjël që përdoren për këto udhëtime.

Një avion i vogël që përdoret zakonisht “Bombardier CRJ”, ka një temperaturë maksimale operimi prej 48 gradë celcius.

Ajri i nxehtë është më pak i dendur sesa ai ftohtë dhe fluturimi në ajër të nxehtë kërkon më shumë shpejtësi në mënyrë që të sigurohet shkëputja e mjaftueshme e avionit për të mundësuar fluturimin. Aeroportet e ndërtuara në lartësi të mëdha përballen me probleme të ngjashme për shkak të ajrit jo shumë të dendur.

Në një raport të vitit 2016 të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, thuhet se temperaturat e larta “kanë pasoja të rënda për fluturimin e aeroplanëve, ku lartësitë e mëdha apo pistat e shkurtra të fluturimit, kufizojnë ngarkesën e avionit madje dhe kapacitetin e mbushjes me karburant”.

Avionët e mëdhenj “Boeing” dhe “Airbus” mund të fluturojnë në temperatura deri në 53 gradë celcius.

Lufta në Siri: SHBA i kundërpërgjigjet kërcënimit rus

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

 

Shtetet e Bashkuara reaguan fuqishëm ndaj kërcënimit të Rusisë, e cila tha se avionët amerikanë në Siri mund të jenë caqe për sulme.

Edhe Rusia, edhe SHBA-ja kryejnë sulme ajrore në Siri kundër, siç thonë, grupeve terroriste.

Tensionet janë rritur pasi SHBA ka rrëzuar të hënën një avion luftarak të Qeverisë siriane.

“Do të bëjmë atë që mundemi për t’i mbrojtur interesat tanë. Regjimi sirian duhet ta kuptojë se e kemi të drejtën e vetëmbrojtjes përballë (v.j. grupit militant) Shtetit Islamik”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, tha se rrëzimi i avionit sirian është “akt i agresionit”.

Ministria e Jashtme ruse paralajmëroi se avionët e koalicionit që udhëheq SHBA-ja në Siri, mund të shihen si objektiva për sulme.

Sipas Moksës, edhe linja për parandalimin e aksidenteve ajrore mbi Siri është ndërprerë.

Spicer insistoi se SHBA do të vazhdojë të “punojë me partnerët” për të luftuar kërcënimin e Shtetit Islamik në Siri.

SHBA: Nga të shtënat për çdo ditë vriten ose plagosen 19 fëmijë

Nga të shtënat në Shtetet e Bashkuara për çdo ditë vriten ose plagosen së paku 19 fëmijë, ndërsa më të rrezikuarit janë djelmoshat, të rinjtë dhe zezakët, thuhet në një studim qeveritar.

Analiza e të dhënave në periudhën 2002-2014 në Shtetet e Bashkuara, konsiderohet se është studimi më gjithpërfshirës për këtë çështje.

Derisa në masë të madhe i konfirmon informatat e publikuara paraprakisht, ky studim e thekson aspektin se përse shkencëtarët e shohin dhunën me armë si krizë publike shëndetësore, raporton agjencia AP nga Çikagoja.

Në raportin e Qendrave për Kontroll të Sëmundjes dhe Parandalim, përfshihen fëmijët dhe të rinjtë deri në moshën 17 vjeçare. Studimi ishte përpiluar nga analizat e çertifikatave të vdekjes dhe raporteve të dhomave të emergjencës dhe është publikuar sot në revistën, Pediatricks. rel

Trumpi për herë të parë pushon në rezidencën presidenciale Camp David

Trumpi do të kalojë fundjavën e parë në rezidencën presidenciale, pasi deri më tani ka pushuar vetëm në resortin e tij luksoz privat Mar-a-Lago në Florida

WASHINGTON – Presidenti amerikan, Donald Trump, bashkë me bashkëshorten e tij Melania dhe djalin Baron për herë të parë ka udhëtuar për në rezidencën presidenciale Camp David në Maryland.

Rezidenca Camp David është e vendosur në pyjet e malit Catactin, rreth 100 kilometra larg nga Shtëpia e Bardhë.

Kështu Trump, do të kalojë fundjavën e parë në rezidencën presidenciale, pasi deri më tani ka pushuar vetëm në resortin e tij luksoz privat Mar-a-Lago në Florida.

Camp David nuk është dhe aq luksoz, por për shkak të thjeshtësisë që ka dhe qetësisë e cila mbretëron atje, ka qenë një vendpushim i preferuar i shumë presidentëve amerikanë, në mesin e të cilëve ishin dhe Franklin Roosevelt, John Kennedy, Jimmy Carter, George Bush dhe Barack Obama.

Janë gjetur trupat e pajetë të marinarëve amerikanë

Pamje e dëmeve të shkaktuara në luftanijen amerikane USS Fitzgerald pas ndeshjes me një anije transportuese

 

Kërkimi për shtatë marinarë të Shteteve të Bashkuara, që ishin zhdukur pasi luftanija e tyre ishte ndeshur me një anije transportuese afër bregdetit të Japonisë, tashmë ka përfunduar pasi është gjetur “një numër” i trupave të pajetë, ka kumtuar sot Marina amerikane.

Në këtë kumtesë nuk specifikohet se sa trupa janë gjetur, por nënadmirali Joseph Aucoin, më vonë tha se kërkimi për të zhdukurit kishte përfunduar dhe se nuk do të jepen detaje të tjera, derisa të informohen familjet e viktimave.

Dje është raportuar se shtatë marinarë ishin zhdukur pasi luftanija amerikane, USS Fitzgerald ishte ndeshur me anijen tranportuese me flamur të Filipineve, ACX Crystal, duke shkaktuar dëme të mëdha në luftanijen amerikane. Në këtë anije ishin 285 anëtarë të ekuipazhit.

Për këtë incident të rëndë po zhvillohen hetime, ndërsa nënadmirali, Joseph Aucoin, tha se anëtarët e ekuipazhit “e parandaluan përmbysjen ose bile edhe fundosjen”.

“Nuk mund të them se sa jam krenar për ekuipazhin dhe për atë që ata kanë bërë për ta shpëtuar anijen”, tha Aucoin.

Demokratët – Trumpit: Mos e shkarko Muellerin

Demokratët udhëheqës në Kongresin e Shteteve të Bashkuara mbrëmë vonë, i kanë tërhequr vërejtjen presidentit, Donald Trump, që të mos e shkarkojë këshilltarin special të Departamentit të drejtësisë, Robert Mueller, i cili po zhvillon hetime për dyshimet për përzierjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Pasi një ndihmës i afërt i zotit Trump, më herët këtë javë, tha se presidenti po e “shqyrtonte” mundësinë e shkarkimit të Muellerit, i cili ishte emëruar këshilltar special muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë tha se Trump nuk ka synim ta bëjë këtë, megjithëqë ka “të drejtë” për ta bërë këtë gjë.

Prej se presidenti, Donald Trump, e ka shkarkuar drejtorin e agjencisë FBI, James Comey, i cili po e mbikëqyrte hetimin lidhur me rusët, para më tepër se një muaji, komentet e Shtëpisë së Bardhë kanë shkaktuar shqetësim në mesin e anëtarëve të Kongresit amerikan, se Mueller mund të ketë trajtim të njëjtë, nëse hetimi shkon kundër presidentit.

Demokratja në Komitetin e drejtësisë në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Dianne Feinstein, tha se është “gjithnjë e më tepër e shqetësuar” se Trump do të përpiqet ta shkarkojë, jo vetëm zotin Mueller, por edhe personin, i cili e ka caktuar atë, zëvendësprokurorin e përgjithshëm, Rod Rosenstein. Komiteti i drejtësisë i Senatit amerikan, po ashtu, zhvillon hetime për lidhjet e fushatës së zotit Trump me Rusinë.

“Mesazhi që presidenti po e dërgon nëpërmjet shkrimeve të tij në Twitter, është i tillë se ai beson se sundimi i ligjit nuk ka të bëjë me të, dhe se secili që mendon ndryshe do të shkarkohet”, tha Dianne Feinstein.

“Ai gabon shumë” nëse mendon se ai mund ta ndalë hetimin në këtë mënyrë, tha Feinstein dhe ka shtuar se “bile edhe mbështetësit e tij më të mëdhenj, do ta pengojnë një përpjekje të tillë flagrante për ta shkatërruar ligjin”.

Megjithëqë presidenti, Donald Trump, vështirë se do të akuzohej edhe në rast se hetimi i zotit Mueller zbulon ndonjë keqbërje penale, ky hetim do të mund të çonte në thirrjet për shkarkimin e Trumpit në Kongres, ku tashmë disa demokratë po e kërkojnë këtë aksion.

Demokratët thonë se Departamenti i drejtësisë e kishte caktuar prokurorin special për hetimin e aferës Watergate, në vitet e 70-ta, kur presidenti i atëhershëm, Richard Nixon, e urdhëroi këtë departament që ta shkarkoj prokurorin special, Archibald Cox, duke shkaktuar dorëheqje të prokurorit të përgjithshëm dhe zëvendësit të tij. Ky zhvillim është i njohur si “Masakra e Natës së Shtunë”.

Zoti Nixon më vonë dha dorëheqje nga posti i presidentit, në mënyrë që të mos ballafaqohej me shkarkim.

Demokrati i lartë në Komitetin e Inteligjencës të Dhomës Përfaqësuese, Adam Schiff, ka kërkuar që Kongresi të “bashkohet për ta ndalur” Trumpin, nëse ai përpiqet ta shkarkoj Rosensteinin ose Muellerin.

Zoti Trump “beson se ai ka autoritet për ta shkarkuar secilin në qeveri, të cilin ai e zgjedh për çfarëdo arsye”, tha zoti Schiff, komiteti i të cilit, po ashtu, zhvillon hetime për lidhjet Rusi – Trump.

Presidenti Trump ka shkaktuar shqetësime në Kongres me vlerësimet e vazhdueshme se hetimet e Kongresit dhe ato ekzekutive, për lidhjet e fushatës së tij me Rusinë, janë “gjueti e shtrigave”.

“Ju jeni dëshmitarë të gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë politike amerikane, që po udhëhiqet nga disa njerëz shumë të këqij dhe konfliktuoz!”, ka shkruar Trump në rrjetin Twitter.

Këtë javë, zoti Trump, po ashtu, e ka sulmuar atë që ai e cilësoi si “tregim të rrejshëm” në të përditshmen Washington Post, se hetimi i zotit Mueller është zgjeruar për ta përfshirë edhe shqyrtimin nëse shkarkimi i zotit Comey nga Trumpi, paraqet një përpjekje ilegale për pengimin e drejtësisë.

Postimet në rrjetin Twitter e reflektojnë zemërimin në rritje të zotit Trump lidhur me hetimet, për të cilat ai beson se janë të njëanshme dhe synojnë largimin e tij nga presidenca, ka raportuar mbrëmë agjencia, Associated Press, duke cituar ndihmës anonimë të Shtëpisë së Bardhë.

Demokratja Feinstein tha se zemërimi i zotit Trump “ka filluar nga një përpjekje për shkatërrimin e secilit që ka aftësi për të sjellë dritë në çfarëdo keqbërje” dhe Senati nuk duhet të lejoj që kjo të ndodhë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Trumpi bisedë telefonike me kryeministrin e Kanadasë

“Presidenti Trump lavdëroi vendimin e kryeministrit të Kanadasë Trudeau, për rritjen e harxhimeve ushtarake për rreth 70 për qind në 10 vitet e ardhshme”

WASHINGTON – Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi se mbështet vendimin e Kanadasë për rritjen e harxhimeve në fushën ushtarake për 70 për qind në 10 vitet e ardhshme.

Në njoftimin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë, është theksuar se Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau.

Në deklaratë u theksua se të dy liderët në bisedë kanë trajtuar shumë çështje në kuadër të marrëdhënieve bilaterale dhe thuhet se “Presidenti Trump lavdëroi vendimin e kryeministrit të Kanadasë Trudeau, për rritjen e harxhimeve ushtarake për rreth 70 për qind në 10 vitet e ardhshme”.

Ministri i Mbrojtjes i Kanadasë, Harjit Sajjan, javën e kaluar kishte njoftuar se buxheti i ushtrisë në 10 vitet e ardhshme duke u rritur për 70 për qind do të arrijë në 32.7 miliardë dollarë.

– Biseda Trump-Kuczynski

Ndërkohë Trump zhvilloi një bisedë telefonike edhe me presidentin e Perusë, Pedro Pablo Kuczynski. Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, thuhet se Trump ka treguar me detaje çështjet në lidhje me “politikën e re të Kubës”, si dhe të dy liderët kanë folur për gjendjen në Venezuelë.

Trump, në një fjalim dje në Florida, kishte thënë se ka anuluar “procesin e normalizimit” me Kubën, të cilën e kishte filluar ish-presidenti amerikan Barack Obama.aa

Trumpi anulon “procesin e normalizimit” me Kubën

“Është pranë hyrjes së menjëhershme në fuqi, anuloj marrëveshjen e njëanshme që qeveria e mëparshme ka realizuar me Kubën”

WASHINGTON – Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se ka anuluar procesin e normalizimit të marrëdhënieve që ish-presidenti Barack Obama e kishte nisur me Kubën.

Në një fjalim të mbajtur në Miami ku jetojnë emigrantët kubanë në SHBA, Trump duke theksuar se SHBA-ja ka ndryshuar politikën e saj për Kubën tha se “Është pranë hyrjes së menjëhershme në fuqi, anuloj marrëveshjen e njëanshme që qeveria e mëparshme ka realizuar me Kubën”.

Trump është shprehur gjithashtu se është vetëm në interes të qeverisë së Kubës vendimi i marrë në fund të vitit 2014 nga qeveria Obama për normalizimin e marrëdhënieve me Kubën, ndaj të cilës që prej 50 vitesh nuk kishte marrëdhënie diplomatike dhe zbatoheshin sanksione.

Pasi ka bërë të ditur se marrëveshja nuk ka në konsideratë interesat e popujve kubanez dhe amerikan Trump tha “Investimet dhe turizmi i kryer në Kubë siguron të ardhura të drejtpërdrejta për ushtrinë. Regjimi merr paratë dhe merr nën kontroll tregun. Si rezultat i dekretit presidencial që ka marrë qeveria e fundit (e SHBA-ve) janë rritur presionet në Kubë dhe sulmet kundër lëvizjeve demokratike dhe paqes”.

“Së shpejti do të kemi një Kubë të lirë”, është shprehur Trump duke shtuar se janë duke ndjekur shkeljet e të drejtave të njeriut në Kubë. Ndër të tjera Trump ka njoftuar se gjatë këtij procesi ambasadat e dy vendeve do të vazhdojnë detyrat e tyre.

SHBA-ja në fund të vitit 2014 mori vendimin për normalizimin e marrëdhënieve me Kubën me të cilën prej 50 vitesh nuk kishte marrëdhënie diplomatike dhe zbatonte sanksione ndaj saj. Vitin e kaluar dy vendet patën rihapur ambasadat. Së fundmi palët nënshkruan marrëveshjen për nisjen e udhëtimeve me avionë në mënyrë të ndërsjellë mes dy vendeve. aa

Prokurori i Posaçëm po heton Presidentin Trump dhe dhëndërin e tij Kushner

Prokurori i posaçëm Robert Mueller, i cili po heton nëse Presidenti Donald Trump u përpoq të pengonte drejtësinë, gjithashtu thuhet se po heton financat dhe marrëveshjet e biznesit të dhëndrit të zotit Trump, Jared Kushner, që shërben si një nga këshilltarët kryesorë të presidentit.

Njoftimin rreth hetimeve ndaj transaksioneve financiare të zotit Kushner e dha dje gazeta “Washington Post”

Në artikujt të mëparshëm gazeta ka përmendur takimet e zoti Kushner me kreun e një banke ruse, pronë shtetërore.

Avokatët e zotit Kushner janë shprehur se do të bashkëpunojë me hetimet. Pas një sërë postimesh në Twitter dje, duke sulmuar njoftimet se prokurori i posçëm po e hetonte presidentin për pengim drejtësie, zoti Trump postoi përsëri në Twitter sot duke kritikuar hetimet që po kryen Kongresi për mundësinë e lidhjeve të këshilltarëve të tij me Rusinë, duke theksuar edhe përbuzjen e tij për shtypin, por nga ana tjetër, përmes postimeve, në një fare mënyre presidenti konfirmoi lajmin se po hetohet për pengim drejtësie. Sipas disa ekspertëve ligjorë, postimet e fundit, mund ta komplikojnë më tej statusin ligjor të presidentit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, e pyetur rreth postimeve të fundit, i drejtoi gazetarët tek avokati personal i presidetit Trump.

Ekipi hetimor i Prokurorit të Posaçëm zgjerohet me 13 ekspertë të tjerë

Presidenti Donald Trump vazhdoi të premten komentet në Twitter kundër hetimeve mbi lidhjet e mundshme midis ekipit të fushatës së tij zgjedhore dhe Rusisë.

Zoti Trump konfirmoi se ai është nën hetim. “Jam duke u hetuar për shkarkimin e Drejtorit të FBI-së nga njeriu që më tha të shkarkoja drejtorin e FBI-së! Gjueti shtrigash,” shkruante ai në Twitter.

Nuk është e qartë nëse presidenti po i referohej Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller apo Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm Rod Rosenstein.

Komentet e tij në Twitter erdhën pas një njoftimi të gazetës “Washington Post” se prokurori Mueller po shqyrton transaksionet financiare të dhëndrit të zotit Trump, Jared Kushner, këshilltar i lartë i presidentit.

Hetimi nga ana e prokurorit Mueller përfshin gjithashtu çështjen nëse zoti Trump është përpjekur të pengojë drejtësinë.

Ekziston një konsensus i gjerë se zoti Trump nuk po i jep vetes asnjë avantazh juridik duke iu referuar në mënyrë të përsëritur kësaj çështjeje me anë të komenteve në Twitter.

REAGOJNË DEMOKRATËT

“Presidenti Trump po i dëmton shanset e tij çdo herë që komenton në Twitter”, tha në rrjetin MSNBC senatori Patrick Leahy, anëtar i Komisionit Juridik të Senatit.

Numri dy i këtij komisioni, senatorja demokrate Dianne Feinstein, tha: “Mesazhi që presidenti po dërgon përmes komenteve në Twitter është se ai beson që sundimi i ligjit nuk vlen për rastin e tij dhe se kushdo që mendon ndryshe shkarkohet”.

“Kjo është jodemokratike dhe një shkelje flagrante e betimit të presidentit,” shtoi zonja Feinstein.

Senatorja nga Kalifornia i bëri gjithashtu jehonë shqetësimit se presidenti mund të përpiqet të shkarkojë prokurorin e posaçëm Mueller dhe zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm Rosenstein.

Komiteti Kombëtar Demokrat, në një deklaratë të premten, tha se zoti Rosenstein, i cili ka autoritet mbi zotin Mueller, duhet ta shkëpusë veten nga hetimi për Rusinë dhe se kontrolli i këtij hetimi nuk duhet t’i jepet një zyrtari tjetër të emëruar nga presidenti.

Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rosenstein bëri të enjten mbrëma një paralajmërim publik të pazakontë lidhur me njoftimet që u atribuohen burimeve anonime.

“Amerikanët duhet të tregojnë kujdes para se të pranojnë si të vërteta shkrimet që u atribuohen zyrtarëve anonimë, veçanërisht kur ata nuk identifikojnë vendin nga ka ardhur lajmi, pa folur pastaj për agjencinë qeveritare nga e kanë marrë,” tha Rosenstein në një deklaratë të shkurtër të publikuar nga Departamenti i Drejtësisë.

“Amerikanët duhet të jenë skeptikë në lidhje me akuzat nga burime anonime. Departamenti i Drejtësisë ka një politikë tradicionale që as i konfirmon dhe as i mohon akuza të tilla”, tha ai.

Është e paqartë se përse pse Rosenstein bëri një paralajmërim të tillë ose nëse dikush e nxiti ta bënte këtë.

ZGJEROHET HETIMI

Prokurori i Posaçëm Robert Mueller, që po heton çështjen e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar, e ka shtuar me 13 prokurorë të tjerë ekipin e tij dhe ka në plan të punësojë edhe disa të tjerë, njoftoi të premten zëdhënësi i tij Peter Carr.

Që nga emërimi i tij më 17 maj, zoti Mueller, një ish drejtor i FBI-së, ka rekrutuar një ekip dinamik avokatësh, hetuesish e prokurorësh me përvojë të madhe në fusha që variojnë nga mashtrimet financiare tek e drejta kushtetuese.

Një prej ekspertëve në ekipin e tij ka punuar edhe në çështjen e Watergate.

Zoti Mueller u emërua në detyrën e Prokurorit të Posaçëm nga Zv/ Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili për këtë çështje ka komptencat e Prokurorit të Përgjithshëm, pas tërheqjes nga hetimet për Rusinë të Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions.

Mandati i Prokurorit të Posaçëm Mueller është prë të hetuar “përpjekjet e qeverisë ruse për të ndikuar mbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 si dhe çështje të tjera të lidhura me to”.

Ndër çështje të tjera janë pretendimet nëse njerëz të fushatës së Presidentit Trump kanë bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me Rusinë dhe nëse është kryer ndonjë krim.

Zoti Trump, i cili konfirmoi të premten se po hetohet nga prokurori i posaçëm, i ka cilësuar hetimet si një “gjueti shtrigash” pa asnjë bazë.

Zëdhënësi i zotit Mueller tha se ekipi, i cili ende nuk është kompletuar përfundimisht, ka nisur hetimet dhe intervistat.

“Ky është një hetim aktiv”, tha zëdhënësi Peter Carr. “Zyra e Prokurorit të Posaçëm do të jetë në gjendje të shkojë përpara në hapat e ndërmarra deri tani”, tha ai.

Zyra e Prokurorit të Posaçëm financohet nga një fond i posaçëm, pa afat mbarrimi dhe jo nga Departamenti i Drejtësisë.

Trumpi thotë se është nën hetime

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pranoi se është nën hetime në rastin e ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Në një postim në Twitter, presidenti po ashtu duket se akuzoi zëvendësin e prokurorit të përgjithshëm amerikan për “gjueti shtrigash”.

“Po hetohem për shkarkimin e drejtorit të FBI-së nga personi që më ka thënë të shkarkoj drejtorin e FBI-së”, shkroi Trump në Twitter.

Zëvendësi i prokurorit të përgjithshëm, Rod Rosenstein, ka marrë përsipër hetimin e ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet në SHBA pasi prokurori i përgjithshëm, Jeff Sessions, është tërhequr në muajin mars.

Rosenstein më pas ka emëruar këshilltarin e posaçëm, Robert Mueller, për të udhëhequr hetimet.

 

Shqetësime amerikane për bazën ruse në Serbi si një qendër spiunazhi

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për një qendër të emergjencave që Rusia menaxhon në Serbi. Disa grupe perëndimore dhe analistë ushtarakë e perceptojnë si një bazë ushtarake të kamufluar që Kremlini e ka ngritur për të mbikqyrur interesat amerikane në Ballkan.

Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee, gjaë një dëshmie në Senat këtë javë ngriti çështjen e “të ashtuquajturës qendër humanitare”.

Zoti Yee tha se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për bazën ruse në Nish, pranë kufirit të Serbisë me Kosovën, “jo aq për çfarë ajo është tani, por për formën që mund të marrë nëse realizohen kërkesat që Rusia i ka paraqitur Serbisë, për një lloj statusi të veçantë, me mbrojtje diplomatike ose imunitet”, siç u shpreh diplomati amerikan.

Rusia kundërshton afrimin e Ballkanit me Evropën

Duke folur gjatë seancës dëgjimore të mërkurën në Senat për influencat keqdashëse në Evropën juglindore, zoti Yee tha se “ne nuk besojmë se Rusia ka qëllime pozitive, ndërsa ne po përpiqemi ta ndihmojmë Ballkanin të arrijë objektivin e integrimit me Evropën”.

“Besojmë se Rusia po përpiqet ta pengojë këtë rrugëtim”, tha zoti Yee në përgjigje të një pyetjeje të Senatorit Chris Murphy, të shtetit Connecticut.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë punuar për vite me radhë për të sjellë paqe të qëndrueshme dhe për ta integruar rajonin në komunitetit e vendeve Euro-Atlantike. Të gjitha vendet përqark Serbisë janë aktualisht vende anëtare të NATO-s, ose dëshirojnë që të anëtarësohen në këtë aleancë të Perëndimit.

Qendra ruse në qytetin Nish në Serbinë jugore që u çel fillimisht në vitin 2012, gjendet relativisht pranë forcës paqeruajtëse prej 4 mijë trupash në Kosovë. Pjesë e forcave ndërkombëtare në Kosovë janë edhe 600 ushtarë amerikanë.

Qendër humanitare apo qendër spiunazhi?

Shqetësimet për bazën ruse pranë kufirit me Kosovën kanë të bëjnë me faktin se Kremlini mund ta shndërrojë atë në një stacioni spiunazhi dhe në qendër komande të përpjekjeve të Rusisë kundër zgjerimit të BE-së dhe NATO-s në rajon. Rusia ka mbështetur gjithnjë refuzimin e Serbisë për njohjen e Kosovës si një shtet i pavarur.

Zoti Yee tha se Shtetet e Bashkuara janë kundër dhënies së statusit diplomatik, ose një statusi të ngjashëm, për rusët që ndodhen në Nish.

Zoti Yee tha se “ne mendojmë se është e rëndësishme, dhe ja kemi transmetuar këtë qeverisë serbe, që Serbia të ketë kontroll të plotë mbi territorin dhe strukturat e ngritura. Nëse do t’i lejojë Rusisë të krijojë një lloj qendre të posaçme për spiunazh dhe aktivitete të tjera keqdashëse, atëherë Serbia do të humbasë kontrollin mbi territorin e saj”.

Rusia ka mohuar se synon të ngrejë një bazë ushtarake në Serbi.

Dakortësi dypartiake amerikane rreth rolit të Rusisë

Demokratët dhe republikanët në Senatin amerikan kundërshtojnë bashkarisht përpjekjet e Rusisë për të rritur ndikimin në Ballkan.

Senatori republikan Ron Johnson, i tha shërbimit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se beson se Moska “po bën gjithçka që mundet për të destabilizuar vendet në rajon dhe për t’i penguar ato” në marrjen e pozicioneve pro-perëndimore.

Senatori Johnson përmendi Malin e Zi, vendin më të ri anëtar të NATO-s dhe Maqedoninë, që ka kufi të përbashkët me Kosovën, si një shembull të ndërhyrjes ruse.

Prokurorët në Podgoricë kanë akuzuar Rusinë dhe agjentët e saj për financimin e një komploti, që do të ekzekutohej tetorin e kaluar, ditën e zgjedhjeve në Mal të Zi. Sipas autoriteteve malazese, plani ishte që të anëtarët e komplotit të vrisnin Kryeministrin Milo Gjukanoviç duke synuar pengimin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

U shmang një akt lufte

Njëzet persona të dyshuar për pjesëmarrje në këtë komplot u arrestuan vitin e kaluar gjatë mbrëmjes përpara ditës së zgjedhjeve. Fuqitë perëndimore dhe agjensitë e zbulimit janë shprehur se përfshirja e Rusisë në përpjekjen për rrëzimin e qeverisë së Malit të Zi ishte e qartë. Madje edhe vetë zoti Gjukanoviç, një socialist që u dorëhoq nga posti i kryeministrit dhjetë ditë përpara zgjedhjeve, tha se ekzistonte “një lidhje e fortë ndërmjet një faktori të huaj” dhe zhvillimeve politike në vend. Kremlini i ka quajtur “absurde” të gjitha këto akuza.

Prokurorët në kryeqytetin malazez thanë se Rusia “bëri shumë më tepër se sa thjesht ndërhyrje” në zgjedhje. Nëse plani i Moskës do të kishte rezultuar i suksesshëm, ata thanë se ai do të përbënte “një akt lufte”.

Senatori Johnson, kryetar i nënkomisionit të Senatit për Evropën, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet t’u kushtojnë më shumë vëmendje vendeve të Ballkanit.

Senatori Johnson tha se “kemi një mundësi të mrekullueshme për t’i integruar këto vende me BE-në dhe demokracitë perëndimore. Nëse nuk luajmë rol udhëheqës, nëse nuk i kushtojmë vëmendje, këto vende mund të rrëshkasin lehtësisht nën dominimin e Rusisë”.

Ligjvënësi nga shteti Wisconsin ishte vetëm njëri prej 98 senatorëve që votuan këtë javë pro shtimit të sanksioneve ndaj Rusisë. Senatori Johnson dhe Senatori Murphy deklaruan këtë javë se shkurtimet e ndjeshme të planifikuara për buxhetin e Departamentit të Shtetit do të lihen mënjanë derisa të bihet dakort për një plan shpenzimesh të qeverisë amerikane.

Senatori Johnson tha se “duhet t’i dërgojmë një sinjal shumë të qartë Rusisë, se nuk mundet të vazhdojë me agresionin, përpjekjet për destabilizim, ndërhyrjet në zgjedhjet demokratike në mbarë botën, përfshirë këtu edhe Amerikën”.

Pence angazhon avokat rreth hetimeve ndaj tij për Rusinë

Nënpresidenti i SHBA-ve, Mike Pence, ka angazhuar një avokat për të mbikqyrur përgjigjet e tij ndaj pyetjeve rreth marrëveshjes së mundshme midis Rusisë dhe fushatës së Presidentit Donald Trump në 2016.

Zyra e Pence njoftoi rreth vendimit për të angazhuar Richard Cullen, kryetar i firmës ligjore McGuireWoods LLP.

Cullen është i njohur për përfaqësimin e klientëve të profilit të lartë si dhe ka qenë i përfshirë në hetimet Iran-Contra dhe Watergate.

Ky lajm erdhi pasi mediat raportuan se Trump ishte duke u hetuar nga avokati special Robert Mueller, për pengimin të mundshëm në fushën e drejtësisë.

Mueller po mbikëqyr një hetim të FBI-së për ndërhyrjet e supozuara ruse në zgjedhjet presidenciale dhe nëse kanë pasur ndonjë bashkëpunim me fushatën e presidentit Trump.

Trump, ka mohuar ndonjë bashkëpunim me Rusinë, duke thënë përmes Twitterit, se hetimet ndaj tij ishin të bazuara në “lajme të rreme”.

Trump po ashtu, ka punësuar avokatin e tij muajin e kaluar rreth këtyre hetimeve.

Zoti Mark Gjonaj mohon kategorikisht autorësinë e shkrimit dhe e quan të pavërtetë dhe parafabrikat!

Asambleisti i New Yorkut zoti Mark Gjonaj mohon kategorikisht autorësinë e shkrimit të botuar një ditë më parë nga portali jonë, titulluar”Rusia ka blerë një televizion dhe tri portale në Tiranë”. Në një letër drejtuar editorëve, ai e konsideron shkrimin të pavërtetë dhe parafabrikat.

Voal.ch e ribotoi shkrimin, duke e huazuar nga gazeta Dita.

Voal.ch i kërkon ndjesë Z.Mark Gjonaj dhe menjëherë e heq shkrimin nga botimi online dhe rrjetet sociale.

Më poshtë po ju sjellim mesazhin e Z.Mark Gjonaj:

“E nderuar Znj. Bucpapaj,

Ne pamundesi te gjetjets se nje email per t’ju kontaktuar, ju lutem pranoni kete mesazh per te komunikuar me ju nga Zyra e Asambleistit te New Yorkut Mark Gjonaj per nje artikel te botuar nga mediumi juaj qe eshte totalisht i fabrikat dhe i pavertete.
Mark Gjonaj
Bronx, NY, 10461

15 Qershor, 2017

Drejtuar Editoreve/Botuesve te VOAL:

Po ju shkruaj ne lidhje me nje artikull te botuar ose ribotuar diteve te fundit ne portalin tuaj: https://www.voal.ch/rusia-ka-blere-nje-televizion-dhe-tre-portale-ne-tirane-nga-mark-gjonaj/  me 15 Qershor, 2017 ku identifikohem si Asambleist i Shtetit te New Yorkut.

Dua te bej te ditur publikisht dhe kategorikisht se as une dhe as dikush ne emrin tim, nga zyra ime e Asamblese apo e Fushates, nuk ka shkruar nje artikull te tille, nuk ka dhene interviste dhe as ka komentuar ne lidhje me kete ceshtje.

Si rrjedhoje, kerkoj qe menjehere ky artikull i fabrikuar te hiqet nga faqja juaj ne internet dhe te ndalohet shperndarja dhe botimi i ketyre lajmeve te fabrikuara dhe te rreme dhe gjithashtu kerkoj qe te botoni nje pergenjeshtrim te ketyre deklaratave.

Ju lutem konfirmoni qe e keni marre kete korrespondence dhe kerkoj reagimin tuaj te shpejte dhe konfirmimin tuaj qe do te veproni ne perputhshmeri me kerkesat qe ju jane bere ne kete email. Ne pamundesi te dergimit nepermjet emailit ne faqen tuaj, ju lutem pranoni kete mesazh ne Facebook.

Sinqerisht,

Mark Gjonaj
Asambleist i Shtetit te New Yorkut.”

SHBA: Juria e bllokuar për rastin “Cosby”

Anëtarët e jurisë në procesin gjyqësor të komedianit të famshëm Bill Cosby i thanë gjykatësit se janë të bllokuar lidhur me akuzat se ai kishte droguar dhe ngacmuar seksualisht një grua në vitin 2004.

Juria po debatonte për akuzat ndaj zotit Cosby që nga e hëna dhe here pas here anëtarët e saj dukeshin se po e humbisnin durimin, kur pyesnin herë pas here gjykatësin për sqarime të provave ose për të dëgjuar përsëri pjesë nga dëshmitë.

Gjykatësi Steven O’Neill u tha anëtarëve të jurisë se gjykatës të tjerë nuk do t’ua kishin pranuar gjashtë kërkesat për të për të rishikuar provat nga procesi, por shtoi se meqë ua kishte pranuar kërkesën e parë, ndjehej i detyruar t’ua pranonte edhe të tjerat, sepse nuk donte që ata të mendonin se disa të dhëna ishin më të rëndësishme se të tjerat.

Zoti O’Neill u tha anëtarëve të jurisë të vazhdonin të shqyrtonin akuzat, pasi ata i thanë se nuk mund të binin dakord nëse Cosby ishte fajtor apo jo.

79 vjeçari Cosby akuzohet se ka droguar dhe ngacmuar Andrea Constandin dhe se i kishte dhënë ilaçe që ia kishin bërë të pamundur të lëvizte apo të kundërshtonte kur filloi ta prekte në shtëpinë e tij në Filadelfia.

Nëse shpallet fajtor, Cosby mund të burgoset për jetë.

Mbi 50 gra kanë thënë se ai i ka sulmuar seksualisht në incidente që nga vitet 1960. Shumë nga incidentet, nëse kanë ndodhur, kanë ndodhur shumë kohë më parë dhe nuk mund të trajtohen më si raste penale.

Ligjvënësi Scalise vazhdon të jetë në gjendje kritike

Gjendja shëndetësore e ligjvënësit republikan Steve Scalise mbetet kritike edhe pas operacionit. Sipas autoriteteve ai do të ketë nevojë për të tjera ndërhyrje.

Mbrëmë, presidenti Trump vizitoi qendrën spitalore “MedStar” në Washington së bashku me gruan Melania, për të parë nga afër ligjvënësin Scalise dhe familjen e tij.

Më vonë presidenti shkroi në Twitter se gjendja shëndetsore e ligjvënësit është kritike por Scalice është “një luftëtar i vërtetë”.

Ndërkohë ndeshja e bejsbollit e përfaqësuesve të kongresit amerikan do të zhvillohet sot sipas planifikimit, pavarësisht sulmit të papritur ndaj ligjvënësve republikanë gjatë stërvitjes, ku dhe mbeti i plagosur Scalise.

Presidenti Donald Trump nuk do të marrë pjesë në ndeshje edhe pse ai dëshironte të ishte i pranishëm, siç tha zëdhënësi i tij Sean Spicer, dhe kjo për arsye sigurie.

Trumpi viziton kongresistin e plagosur, i cili mbetet në gjendje kritike

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vizitoi kongresistin amerikan, i cili u plagos të mërkurën në një sulm me armë.

Personi i armatosur, i cili qëlloi të mërkurën kongresistin republikan, Steve Scalise, dhe disa njerëz të tjerë, të cilët po ushtronin bejsboll jashtë Uashingtonit, ka pasur histori të gjatë të mosdurimit të republikanëve.

James Hodgkinsin, 66 vjeç, i cili është vrarë nga policia në vendin e ngjarjes, ka qenë pjesë e një grupi të quajtur “Shkarkoni Partinë Republikane”.

Presidenti Trump dhe Zonja e Parë Melania ka kanë kaluar rreth gjysëm ore me kongresistin Scalise, i cili mbetet në gjendje kritike në një spital në Virxhinia.

Trump u bëri thirrje amerikanëve që të lënë mënjanë dallimet politike.

“Jemi më të fuqishëm kur jemi të bashkuar dhe kur punojmë bashkë për të mirën e përbashkët”, tha Trump.

Media: Hodgkinson ishte kritik i ashpër i Presidentit Trump

Personi që hapi zjarr ndaj ligjvënësve republikanë, gjatë një stërvitjeje bejzbolli në Aleksandria të shtetit Virxhinia, ishte një kritik i ashpër i Presidentit Donald Trump, sipas njoftimeve të mediave sociale. Në mediat amerikane gjithashtu thuhet se vitin e kaluar ai ishte vullnetar në fushatën e senatorit nga Vermonti, Bernie Sanders.

James Hodgkinson, 66 vjeç, nga qyteti Belleville i Ilinoit, plagosi katër vetë, duke përfshirë ligjvënësin Steve Scalise, dy policë të Uashingtonit dhe një anëtar të personelit të një ligjvënësi tjetër të Dhomës së Përfaqësuesve. Përmes një deklarate për mediat, Presidenti Trump njoftoi se Hodgkinson vdiq nga plagët.

Hodgkinson, i cili ishte pronar i një biznesi për inspektimin e shtëpive, kishte një histori problemesh me autoritetet. Sipas të dhënave publike të policisë, në vitin 2006 ai u arrestua për dhunë në familje. Ai gjithashtu duket se ka qenë një mbështetës aktiv i fushatës për president të senatorit Bernie Sanders.

REAGON SENATORI SANDERS

Në një deklaratë nga salla e Senatit, Senatori Sanders tha se ishte informuar se Hodgkinson është “dikush që mesa duket ka bërë punë vullnetare në fushatën time presidenciale”.

“Jam i trishtuar nga ky akt”, tha senatori Sanders. “Dhe më lejoni të jem i qartë. Dhuna e çdo lloji është e papranueshme në shoqërinë tonë dhe e dënoj këtë veprim në termat më të forta”.

Dy profile të Facebook-ut që thuhet se i përkisnin James Hodgkinsonit ishin të mbushura me postime pasionante dhe nganjëherë të zemëruara. Fotoja e profilit për njërën nga llogaritë në Facebook e përshkruan senatorin Sanders si njeri të qeverisë. Në profilin tjetër ai thotë se “Socializmi demokratik mund të përmblidhet me këto fjalë: Ne populli”, duke iu referuar preambulës së kushtetutës amerikane.

Pothuaj çdo ditë në profilet e tij në Facebook ai kritikonte presidentin Trump, shpesh duke përdorur gjuhë vulgare.

“Trump është fajtor dhe duhet të shkojë në burg për tradhti”, thuhet në një nga postimet në faqen e Hodgkinsonit të publikuar në fillim të këtij muaji.

Në disa postime të tjera, Hodgkinson kritikonte edhe ish kandidaten demokrate për president, Hillary Clinton.

Pasi zyrtarët e zbatimit të ligjit njoftuan se ata besonin se Hodgkinson ishte autori i sulmit, profilet e Facebookut u konvertuan në një hapësirë të improvizuar për debate politike.

TRUMP DËNON ASHPËR INCIDENTIN

Presidenti Donald Trump e dënoi plagosjen e ligjvënësit të lartë republikan, duke e quajtur një “sulm shumë, shumë brutal” dhe bëri thirrje që të gjithë amerikanët të lënë mënjanë dallimet dhe të luten për shërimin e viktimave.

Presidenti Trump tha se “shumë jetë do të ishin humbur pa ndërhyrjen heroike” të Policisë së Kapitolit.

“Ne mund të kemi dallimet tona, por ia dalim mirë në momente si këto… sepse mbi të gjitha e duam vendin tonë”, tha zoti Trump duke folur nga Shtëpia e Bardhë.

Zoti Trump e quajti kongresmenin Scalise një mik shumë të mirë dhe patriot.

Ishte hera e parë që zoti Trump komentonte si president pas një incidenti me armë zjarri.

Por ndryshe nga fjalimet e shumta të ish-Presidentit Barak Obama në raste të tilla, zoti Trump nuk përmendi rregullat për armët.

Yee: Roli amerikan, i nevojshëm për stabilitetin dhe për zmbrapsjen e ndikimit rus në Ballkan

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha të mërkurën se Ballkani Perëndimor përballet me sfidat më serioze që nga viti 1990. Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee foli në një seancë për rajonin në Senat, ku senatorë dhe ekspertë bënë thirrje për vazhdimin e angazhimit amerikan në Ballkan për të zmbrapsur ndikimin rus dhe për të shmangur përshkallëzimin e krizave, si edhe për të mbështetur reformat dhe stabilitetin. Keida Kostreci e Zërit të Amerikës, ndoqi seancën.

Në një ditë kur një anëtar i Kongresit dhe disa persona të tjerë u plagosën pranë Uashingtonit, zoti Yee e filloi seancën duke shprehur keqardhjen dhe solidaritetin e kolegëve të Departamentit të Shtetit, në seancën e Nënkomisionit për Evropën dhe Bashkëpunimin për Siguri Rajonale.

Zoti Yee tha se nëse kërcënimet e jashtme dhe të brendshme, nuk marrin përgjigje, ato mund të kenë pasoja serioze për Ballkanin Perëndimor, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.

“Ballkani Perëndimor përballet me një numër kërcënimesh: Institucione të brishta, mangësi në shtetin ligjor dhe media jo e lirë, i kanë hapur rrugën një korrupsioni të rrënjosur thellë. Ky korrupsion vë në rrezik këto demokraci të reja dhe u hap rrugën aktorëve destabilizues, përfshirë ekstremistë të dhunshëm, grupe të krimit të organizuar dhe vende që duan të ushtrojnë ndikim keqdashës”, tha ai.

Zoti Yee tha se problemet e brendshme, u kanë hapur rrugën kërcënimeve të jashtme si Rusia që synon të frenojë përpjekjet e vendeve të rajonit për të ndjekur një rruhë euro-atlantike.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit, përmendi disa përparime të arritura me mbështetjen amerikane, përfshirë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.

“Me angazhimin tonë dhe të Evropës, gjatë muajit të kaluar, kemi parë disa suksese reale, me hyrjen e Malit të Zin ë NATO, sigurisht me ndihmën e Senatit, udhëheqësit e Maqedonisë bashkëpunuan për të formuar një qeveri të re, opozita e Shqipërisë ra dakord që t’i jape fund bojkotit dhe të marrë pjesë në zgjedhje më 25 qershor dhe Serbia pritet të hapë dy kapituj të ri me Bashkimin Evropian këtë muaj”.

Ai gjithashtu theksoi nevojën e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryetari republikan i nënkomisionit Ron Johnson, që sapo ka bërë një vizitë në rajon, tha se mesazhi i atyre vendeve është i qartë:

“Udhëheqja amerikane është e nevojshme në Evropën juglindore. Kur tërhiqen Shtetet e Bashkuara, vakuumi i ndikimit mbushet nga vende me synime të dëmshme”, tha ai duke iu referuar ndikimit rus, një nga shqetësimet më të mëdha që u shprehën në seanca.

Senatori Johnson tha se është në interesin e Shteteve të Bashkuara të ketë stabilitet në Ballkan.

Edhe nënkryetari i nënkomisionit, demokrati Chris Murphy theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje Ballkanit, duke shprehur rëndësinë e rajonit në arenën ndërkombëtare.

“Tre nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet politika e jashtme amerikane, gërshetohen në Ballkan. Së pari, sfida e maskuar dhe e hapur e ndikimit rus që minon mbështetjen e instutucioneve perëndimore dhe gërryen më tej, qeverisjen demokratike; së dyti korrupsioni i rrënjosur që frenon përparimin ekonomik dhe i destabilizon qeveritë në gjithë rajonin dhe së treti radikalizimi në rritje i të rinjve myslimanë dhe numri relativisht i atyre që kanë shkuar në Siri nga ky rajon që të luftojnë me ISIS-in”.

… por senatori demokrat shprehu pakënaqësinë për mesazhin që përçon administrata aktuale amerikane e drejtuar nga republikani Donald Trump.

“Ka një mospërputhje totale mes ekspozesë që bëni ju dhe sfidave të shumta që kanë nevojë për shtimin e burimeve dhe buxhetit që është paraqitur”, iu drejtua ai zotit Yee.

Zoti Murphy i referohej projekt-buxhetit të Shtëpisë së Bardhë për politikën e jashtme që sapo është prezantuar në Kongres dhe që ai tha se parashikon shkurtime të mëdha për Ballkanin. Ai tha se sipas mendimit të tij, ato shkurtime nuk kanë asnjë shans për t’u miratuar.

Zoti Murphy foli për përshtypjet që merr kur takohet me udhëheqësit e Ballkanit.

“Ata janë të shqetësuar se ne po dërgojmë një mesazh me këto shkurtime, me mungesën e mbështetjes për NATO-n, me kritikat ndaj aleatëve të BE-së, se ne nuk jemi më të interesuar për rajonin”.

Si senatorët ashtu edhe zoti Yee dhe ekspertët, në shumë raste theksuan shqetësimin për rritjen e interesit dhe aktivitetit rus në Ballkanin Perëndimor dhe thanë se po punojnë me vendet e Ballkanit për t’u përballur me ndikimin keqdashës të Moskës. Ata thanë se dobësitë e brendhshme dhe presionet e Rusisë, ekspozohen në mungesë të politikave të qarta të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara.

Argumenti i tyre ishte se mungesa e vëmendjes mund t’i kthejë problemet që janë të zgjidhshme, në situata të rrezikshme.

“Mesazhi im qendror është se paqartësia e vazhdueshme e mesazhit amerikan sot, mund të shkaktojë një krizë nesër, që nga ana tjetër do të kërkonte një angazhim shumë më të madh amerikan sesa do të ishte dashur për shmangien e krizës që pa filluar”, tha Damon Wilson, zëvendës president ekzekutiv i Këshillit të Atlantikut.

Plagoset kongresmeni Steve Scalise

Ligjvenësi Stephen Scalise, republikan nga shtetit të Luizianës, u plagos sot me armë zjarri ndërsa ishte duke luajtur bejsboll në një fushë në Aleksandria, shumë pranë Uashingtonit.

Sipas njoftimeve në vendin e ngjarjes është shtënë disa herë me armë.

Sipas punonjësve të ndihmës së shpejtë zoti Scaliese është plagosur në këmbë. Ai ishte duke luajtur bejsboll me një grup tjetër ligjvenësish.

Ligjvenësi Scaliese është një prej drejtuesve të grupit të ligjvenësve republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve që kanë shumicën.

Ka njoftime se mund të ketë edhe të plagosur të tjerë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha se Presidenti Trump dhe nënpresidenti Pence janë vënë në dijeni të situatës.

Presidenti Trump mbështet rritjen e numrit të trupave ushtarakë në Afganistan

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka mbështetur rritjen e trupave ushtarake amerikane në Afganistan. Kështu ai i ka dhënë autoritet Ministrit të Mbrojtjes, Jim Mattis për të vendosur rreth nivelit të trupave në Afganistan, kanë raportuar mediat.

Gjenerali i ushtrisë, John Nicholson, i cili udhëheq forcat ushtarake në Afganistan, ka thënë se i nevojiten “disa mijëra” trupa të tjerë. Momentalisht atje janë 8,400 persona të forcave ushtarake amerikane.

Në Pentagon është diskutuar për 3000 deri në 5000 forca shtesë, disa prej të cilave mund të dërgohen nga aleatët e SHBA-ve dhe do të përbëhen kryesisht nga ekipe dhe trajnerë ajrorë për të mbështetur forcat afgane.

Vendimi i Trumpit për të zgjeruar ushtrinë në luftën 15-vjeçare në Afganistan, vjen pas dhënies së kompetencave nga ana e tij, kundrejt gjeneralëve të SHBA-së, që drejtojnë forcat amerikane në Irak dhe Siri.

Mattis e ka paralajmëruar Kongresin se forcat afgane të mbështetura nga SHBA-të, nuk po fitojnë luftën kundër talibanëve.

Disa zyrtarë amerikanë kanë vënë në pikëpyetje nëse një rritje e tillë modeste, do të ishte e mjaftueshme për ta ndryshuar rrjedhën e luftës.

Mattis: Shtetet e Bashkuara po humbin në Afganistan

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, i ka thënë Kongresit se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke fituar në Afganistan dhe se gjatë muajit korrik do të prezantojnë një strategji të re duke synuar ndryshimin e situatës.

Mattis gjithashtu ka thënë në dëshminë e Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, se goditjet e fundit kundër forcave qeveritare siriane kanë qenë në vetëmbrojtje, pasi sipas tij Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrur të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur ushtarët e saj në terren.

“Ne nuk jemi duke fituar tani në Afganistan. Do ta korrigjojmë këtë sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë ai duke shtuar se Pentagoni ka gjasa të kërkojë një rritje prej 3-5 për qind të buxhetit të saj nga 2019 deri në vitin 2023.

Në Shtetet e Bashkuara, mediat kanë raportuar se Mattis do të rekomandojë dërgimin e 3,000 deri në 5,000 trupave amerikane për të shkatërruar, atë që ai e quajti “bllokadë” midis forcave të mbështetura nga SHBA-të dhe talibanëve.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar një dron të armatosur të qeverisë siriane i cili kishte sulmuar forcat e mbështetura nga SHBA-të, në Siri. Në po të njejtën ditë, këto forca të mbështetura nga SHBA-të, sulmuan dy kamionë të qeverisë siriane afër qytetit jugor, At Tanf.

Rusia në anën tjetër ka thënë më 10 maj, se i konsideron të papranueshme sulmet e Shteteve të Bashkuara kundrejt forcave qeveritare në Siri.

Rosenstein: nuk do të zbatoj urdhëra për shkarkimin Prokurorit Mueller

Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili emëroi ish drejtorin e FBI-së Robert Mueller për të drejtuar hetimin lidhur me mundësinë e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, për ta ndihmuar zotin Trump që t’i fitojë zgjedhjet, i siguroi ligjvënësit se pa një arsye të fortë, ose të ligjshme, nuk do t’i zbatonte urdhërat nga Presidenti Trump ose kushdo tjetër, për shkarkimin nga detyra të prokurorit special, Robert Mueller.

Këto komente ai i bëri gjatë një seance dëshmish në Senat. Zoti Rosenstein tha se ai nuk ka parë ndonjë provë ose arsye për të pushuar Prokurorin e Posaçëm Mueller, i cili është duke hetuar ndërhyrjen e mundshme ruse në zgjedhjet amerikane dhe lidhjet e mundshme të këshilltarëve të president Trump me rusët.

Komentet pasuan pyetjet nga ligjvënësit lidhur me njoftimet e shtypit se Presidenti Trump po mendonte ta shkarkonte Prokurorin e Posaçëm. Prokurori i Përgjithshëm ka autoritetin për shkarkimin e Porkurorit të Posaçëm, por meqë Jess Sessions është tërhequr nga hetimet për Rusinë, për shkak të mbështetjes së tij të fuqishme për zotin Trump gjatë fushatës dhe më pas të zbulimeve se ai ishte takuar dy herë me ambasadorin rus në Uashington, zyrtari që mund ta pushojë atë është zëvendësi i tij, Rosenstein.

Mediat cituan të hënën aleatë republikanë të zotit Trump të kishin thënë se ai ka lënë të kuptohet se po shqyrton mundësinë për ta pushuar zotin Mueller, emërimi i të cilit muajin e kaluar u vlerësua gjerërisht si nga republikanët, edhe nga demokratët e opozitës.

Megjithatë, disa republikanë janë duke sugjeruar se Mueller duhet të shkarkohet, pasi në grupin e preokurorëve që ka ngritur ka përfshirë edhe prokurorë, të cilët kanë bërë donacione për rivalen e zotit Trump në zgjedhje, ish Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton.

Një nga mbështetësit kryesorë të zotit Trump, ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich, tha se “republikanët ushqejnë iluzione kur mendojnë se Prokurori Special ka për të qenë i drejtë dhe i paanshëm.

Megjithatë, një tjetër republikan, kryetari aktual i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, u tha gazetarëve se “Më e mira për Presidentin është të lejojë që hetimi të vazhdojë me drejtësi dhe në mënyrë të pavarur. Mendoj se këshilla më e mirë për të do të jetë që ta lejojë zotin Robert Mueller të bëjë punën e tij si Prokuror i Posaçëm.”

Senatorja demokrate e Kalifornisë Dianne Feinstein i tha zotit Rosenstein, se “do të ishte katastrofike në se presidenti Trump e pushon nga puna zotin Mueller si kryesues i komisionit hetimor”.

Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein e siguroi zonjën Feinstein se nuk ka për të ndodhur pushimi i zotit Mueller, pa pëlqimin e tij.

Sessions: akuzat për bashkëpunim me rusët, “gënjeshtra të neveritshme”

Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions dëshmoi në një seancë të hapur para Komisionit të Senatit që po heton lidhjet e dyshuara mes zyrtarëve të fushatës presidenciale të Donald Trumpit dhe ndërhyrjes së Kremlinit në zgjedhjet amerikane.

Ai tha se akuzat ndaj tij lidhur me disa takime private me zyrtarë rusë në Hotelin Mayflower, me synimin për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, janë “gënjeshtra të neveritshme”.

Ai pranoi se është takuar me ambasadorin rus, por se asgjë e papërshtatshme nuk ka ndodhur në ato takime. Ai shtoi se nuk ka patur njohuri për biseda të zyrtarëve të fushatës së zotit Trump me zyrtarë rusë.

Zoti Sessiosn tha se ai ishte tërhequr nga hetimet për Rusinë, jo ngaqë kishte bërë diçka të papërshtatshme, por sepse kjo kishte qenë kërkesa e Departamentit të Drejtësisë dhe se këtë proces tani po e mbikqyrte zëvendësi i tij, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm, Rosenstein.

Ai shprehu përkushtimin e tij për t’i shërbyer vendit me ndershmëri, një gjë që e “kam bërë, – tha ai, për 35 vjet me radhë”.

Zoti Sessions, që ka qenë senator për 20 vjet, kërkoi vetë të dëshmonte para Komisionit të Zbulimit, pasi ish drejtori i FBI-së James Comey, la të kuptohej në seancën e dëshmisë së tij javën e kaluar, se mund të ketë pasur më shumë se një arsye që Prokurori i Përgjithshëm vendosi të tërhiqej nga drejtimi i hetimit për Rusinë.

Zoti Sessions e shmangu veten nga hetimi për Rusinë në Mars, pasi u zbulua se kishte pasur disa takime me ambasadorin e Moskës në Uashington gjatë fushatës presidenciale.

Megjithatë, paraqitja e tij para Komisionit të Zbulimit e ekspozon atë ndaj pyetjeve të tjera lidhur me bashkëpunimin e mundshëm mes zyrtarëve të fushatës së zotit Trump dhe Rusisë, si edhe për rolin që mund të ketë patur në shkarkimin e zotit Comey, në një kohë kur ish drejtori i FBI-së drejtonte hetimin për Rusinë.

Sekretari i Shtypit, Sean Spicer tha të hënën se presidenti është “në dijeni të faktit” që zoti Sessions do të dëshmojë dhe se ai pret me padurim fundin e hetimit për ndërhyrjen e Rusisë, që siç tha ai, ka tërhequr vëmendjen nga çështjet e tjera me të cilat përballet vendi.

Trumpi do të shkarkojë këshilltarin e posaçëm që heton lidhjet me Rusinë?!

Robert Mueller

 

Një bashkëpunëtor i afërt i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ky i fundit po shqyrton shkarkimin e këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, të cilin Departamenti i Drejtësisë e emëroi muajin e kaluar, për të hetuar lidhjet e Rusisë me fushatën e Trumpit.

“Mendoj se ai është duke shqyrtuar ndoshta shkarkimin e këshilltarit të posaçëm. Mendoj se po e mat këtë opsion”, tha Christopher Ruddy, shef ekzekutiv i Newsmax Media-s dhe mik i Trumpit, për PBS NewsHour.

“Mendoj se është shumë e qartë nga ajo që tha njëri prej avokatëve të tij së voni”, tha Ruddy, me sa duket duke iu referuar avokatit të Trumpit, Marc Kasowitz, i cili ka thënë se Trump është “shfajësuar” me dëshminë e ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, javën e kaluar.

Në këtë dëshmi, Comey ka thënë se Trump personalisht nuk ka bashkëpunuar me Rusinë.

“Unë personalisht mendoj se do të ishte gabim shumë i madh shkarkimi i Muellerit”, shtoi ai.

Ruddy po ashtu tha se Mueller ishte në shqyrtim për postin e drejtorit të FBI-së para se të emërohej këshilltar i posaçëm.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, tha më vonë se Ruddy “nuk ka folur kurrë me presidentin për këtë çështje”.

Trumpi paditet për “pranim pagesash nga qeveritë e huaja”

Zyrtarët në Merilend dhe Uashington ngritën padi kundër presidentit amerikan, Donald Trump, për, siç thanë, pranim të pagesave nga qeveritë e huaja përmes perandorisë së tij të biznesit.

Paditë citojnë një nen të Kushtetutës, i cili thotë se asnjë zyrtar federal nuk duhet të pranojë dhuratë ose pagesë nga një qeveri e huaj.

Padia, e cila u ngrit nga prokurorët e përgjithshëm të Uashingtonit dhe Merilendit, Karl Racine and Brian Frosh, pretendon se Trump “është duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën”.

“Asnjëherë në historinë e këtij vendi nuk kemi pasur president me këtë lloj ngatërresash biznesore ose president që nuk pranon të distancohet në mënyrë adekuate nga pronat e tij”, tha prokurori Racine.

Shtëpia e Bardhë i mohoi pretendimet.

Prokurorët Racine dhe Frosh po përpiqen të nxjerrin një urdhër nga Gjykata e Qarkut në Merilend që do të ndalojë Trumpin të marrë pagesa qeveritare përtej pagës së tij.

A ka regjistrime të bisedave Trump-Comey?

Ligjvënës republikanë po i kërkojnë Shtëpisë së Bardhë të publikojë regjistrimet e bisedave kryesore që kanë patur Presidenti Donald Trump me drejtorin e shkarkuar të FBI-së James Comey, nëse ato eksiztojnë.

Në qoftë se ekzistojnë, kasetat me bisedat e regjistruara mund të sqarojnë çështjen nëse gjatë darkës në Shtëpinë e Bardhë në muajin shkurt, zoti Trump i ka kërkuar zotit Comey, i cili në atë kohë drejtonte hetimin e FBI-së për mundësinë e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale, të hiqte dorë nga hetimi ndaj Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Michael Flynn.

Presidenti Trump e kishte shkarkuar zotin Flynn pasi doli se ai kishte gënjyer nënpresidentin Pence lidhur me kontaktet e tij me ambasadorin rus në Uashington.

Në një dëshmi dramatike para ligjvënësve javën e kaluar, zoti Comey tha se kishte ndjerë se Presidenti Trump i kishte sugjeruar të mos e vazhdonte hetimin ndaj zotit Flynn.

Zoti Comey po ashtu dëshmoi se presidenti Trump i kishte kërkuar të tregonte bensikëri ndaj tij, gjë që ish drejtori i FBI-së nuk pranoi ta bënte, si dhe të “largonte renë” e krijuar lidhur me hetimin ndaj ndërhyrjes ruse.

Ekspertët ligjorë thanë se rrjedhja e informacionit prej zotit Comey lidhur me bisedën që ai kishte patur më 14 shkurt me Presidentin, tek një mik i tij, i cili ia dha atë gazetës “The New York Times”, mund të mos ketë qenë diçka e paligjshme, pasi informacioni nuk ishte sekret.


Send this to a friend