VOAL

VOAL

Trump: Sessions nuk duhet të ishte tërhequr nga hetimet për Rusinë

Presidenti Donald Trump, i tha gazetës “The New York Times” se nëse prokurori i posaçëm do të përfshinte në hetime edhe financat e familjes Trump, që nuk kanë lidhje me Rusinë, atëherë kjo do të kapërcente kufirin e të pranueshmes. Prokurori Robert Mueller po heton influencën e Rusisë në zgjedhje dhe bashkëpunimin e mundshëm me anëtarët e ekipit elektoral të zotit Trump.

I pyetur nëse kjo do të përfaqësonte një vijë të kuqe për të, Presidenti Trump u përgjigj se: “Do të thoja ‘po’. Unë nuk kam të ardhura nga Rusia. Nuk bëj biznes me Rusinë”.

Në një intervistë të zgjeruar, Presidenti Trump shprehu gjithashtu zhgënjim për vendimin e Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions për t’u vetëtërhequr nga hetimet për Rusinë. Presidenti shtoi se nëse do ta kishte ditur paraprakisht këtë synim të zotit Sessions, atëherë do të kishte “përzgjedhur dikë tjetër”.

“Zoti Sessions nuk duhet të ishte vetëtërhequr kurrë, dhe nëse do ta kishte patur ndër mend një gjë të tillë, duhet të më kishte informuar përpara se ta pranonte postin”, tha Presidenti Trump.

Presidenti sugjeroi në vazhdim se ish-Drejtori i FBI-së, James Comey, i pati treguar një dosje me materiale dhe aludime të pakonfirmuara, kompromentuese për Presidentin, me qëllimin për të fituar influencë ndaj tij.

“Për mendimin tim, ai ma tregoi në mënyrë që unë të mendoja se ai mund ta bënte publike”, i tha gazetës Presidenti Trump, i cili e shkarkoi zotin Comey në muajin maj.

Zoti Comey u shpreh në dëshminë e tij përpara një komisioni të Senatit në muajin qershor, se ai e pati informuar privatisht për dosjen në muajin janar, pasi besonte se materialet do të publikoheshin dhe se komuniteti i zbulimit nuk duhet ta privojë Presidentin e zgjedhur nga të dhënat që disponon.

Pasi Prokurori i Përgjithshëm Sessions u vetëtërhoq nga hetimet, zëvendësi i tij, zoti Rod Rosenstein, caktoi një tjetër ish-drejtor të FBI-së, zotin Robert Mueller, në detyrën e prokurorit të posaçëm që do të drejtonte hetimet për Rusinë. Gjithashtu, komisione të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve po zhvillojnë hetimet e tyre.

Presidenti Trump ka këmbëngulur vazhdimisht se këto nuk janë të lidhura.

“Nuk kam bërë asgjë të gabuar. Nuk duhet të ishte caktuar fare një prokuror special për këtë çështje”, i tha ai gazetës “The New York Times”.

Donald Trump Jr., djali i madh i Presidentit, dhëndri i tij Jared Kushner, tashmë këshilltari i lartë në Shtëpinë e Bardhë, si dhe ish-drejtori i fushatës elektorale Paul Manafort, u takuan vitin e kaluar me një juriste ruse që kishte thënë se dispononte material dëmtues për kundërshtaren demokrate të zotit Trump në garën presidenciale, zonjën Hillary Clinton.

Gjatë intervistës, Presidenti Trump nuk i dha rëndësi takimit, duke e emërtuar si “gjëra standarte politike”, si dhe përsëriti mendimin e tij se shumica e politikanëve do ta kishin pranuar një takim të tillë.

Donald Trump Jr. ka thënë se juristja ruse nuk pati ndonjë informacion me vlerë rreth zonjës Clinton dhe se takimi përfundoi shpejt.

Kur u pyet nga gazeta, Presidenti Trump tha se “duhet të ketë qenë ndonjë takim vërtet i parëndësishëm, pasi mua nuk ma përmendën fare”.

Vetëm pak orë pas këtij takimi të zhvilluar në muajin qershor 2016, zoti Trump pati deklaruar se do të mbante një fjalim të rëndësishëm të fokusuar tek zonja Clinton. Gjatë intervistës për gazetën “The New York Times”, ai e refuzoi idenë se këto dy ngjarje mund të jenë të ndërlidhura, duke thënë se ai “pati mbajtur disa fjalime të tilla”.

“Nuk kishte më tepër që mund të thosha për Hillary Clintonin, nga ç’pata thënë gjithnjë”, u shpreh Presidenti Trump.

Megjithëse intervista u përqëndrua më shumë tek çështja e Rusisë dhe fushata elektorale, Presidenti Trump foli edhe për çështje të tjera të presidencës së tij dhe tha se vendi “po ecën mirë”.

Ai pati premtuar gjatë fushatës se do të reformonte sistemin e kujdesit shëndetësor. Pasi Senati i udhëhequr nga republikanët pati disa dështime javët e fundit për të anulluar dhe zëvendësuar sistemin e kujdesit shëndetësor të Presidentit Barack Obama, Presidenti Trump organizoi të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë një takim me ligjvënësit.

“Nëse nuk e përfundojmë këtë punë, do të shohim se si do të rrënohet ‘Obamacare’ dhe pastaj do të fajësojmë demokratët. Pastaj, ata do të vijnë dhe do të thonë ‘na ndihmoni’,” u shpreh Presidenti Trump.

Ai shtoi se sipas planit republikan, amerikanët do të përjetojnë “shkurtime të mëdha të taksave dhe reforma”, të cilat ai tha se do të jenë si një “dhuratë për vendin”.

Zyra jopartiake për Buxhetin në Kongres, ka shqyrtuar disa versione të projektligjeve republikane për kujdesin shëndetësor me dallime të vogla ndërmjet tyre, për të cilat u konkludua se do t’i kursenin qeverisë miliarda dollarë për rreth një dekadë, por dhe do të linin miliona njerëz pa sigurim shëndetësor.

Për sa i përket çështjeve ndërkombëtare, Presidenti Trump kritikoi ish-Presidentin Obama për mosveprimin për Ukrainën, Korenë e Veriut dhe Sirinë.

Presidenti Trump tha se kur Rusia aneksoi Krimenë, ish-Presidenti Obama “e la t’ja hidhte paq”.

“Ai nuk përdori gjuhë të ashpër ndaj Koresë së Veriut. Dhe siç e dini, ne kemi një problem të madh me Korenë e Veriut. Shumë të madh”, tha Presidenti Trump.

Në vitin 2013, ish-Presidenti Obama kërcënoi se do të përdorte forcën ndaj qeverisë siriane, nëse ajo do të kryente sulme me armë kimike. Por ai nuk e vuri në jetë këtë kërcënim, ndërsa administrata e tij bashkëpunoi me Rusinë për të negociuar një marrëveshje sipas të cilës Siria do të largonte rezervat e armëve të saj kimike nga vendi. Pas një sulmi kimik në muajin prill, për të cilin u fajësuan forcat siriane, Presidenti Trump urdhëroi sulme ajrore ndaj një aerodromi sirian.

“Ai nuk sulmoi. Unë i sulmova”, tha Presidenti Trump.

Pozita sfiduese e ambasadorit të SHBA-së në Rusi

Jon Huntsman, ish- governator në Utah, është nominuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për ambasador në Rusi.

Kjo pozitë do të testojë nëse ai do të përdor përvojën diplomatike dhe njohuritë në biznes, për përfaqësimin e interesave të SHBA-së në Moskë.

Nëse aprovohet nga Senati, pozita e tij si ambasador ka mbrapa vetes disa sfida, pas supozimeve se Kremlini ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Rusia i mohon këto deklarata.

Hutsman, është diplomat veteran, i cili ka shërbyer në administratën e pesë presidentëve të SHBA-së.

Në vitin 2012 ai ishte kandidat për president, i nominuar nga republikanët.

Por përvoja e tij është e kufizuar kur bëhet fjalë për Rusinë.

Huntsman, ka qenë i dërguari special i SHBA-së në Kinë, gjatë periudhës së udhëheqjes së ish-presidentit amerikan, Barack Obama, për të menaxhuar sfidat e Uashingtonit në marrëdhëniet me Pekinin.

Miliarderi 57-vjeçar, ka shërbyer edhe si ambasador i SHBA-së në Singapor, gjatë udhëheqjes së ish-presidentit George H. W. Bush.

Për muaj të tërë është diskutuar se Trump “ka rezervuar” kohë më parë këtë pozitë për Huntsman, ndonëse ky i fundit ka qenë kritik në të kaluarën për presidentin e tij të ardhshëm.

Gjatë fushatës presidenciale më 2016 në SHBA, ai i pati kërkuar Trumpit të largohej nga kandidatura për president, pas publikimit të një videoje, në të cilin protagonist ishte presidenti i tanishëm Trump, duke bërë komente vulgare për disa gra.

James Collins, i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Moskë, në periudhën 1997-2001, kur Bill Clinton udhëhiqte shtetin amerikan, ka folur për perspektivën e Huntsmanit në Moskë.

Zoti Huntsman do të shihet si zgjedhje e duhur për atë post, si person i rëndësishëm politikisht”, ka thënë ai.

Mendoj që një vendim i tillë, do të interpretohet si sinjal se Trump ka përzgjedhur një njeri me përvojë”, ka shtuar tutje Collins.

Në rast se Huntsman merr postin, ai do ta kryejë detyrën e tij në Moskë, i përcjellur nga një situatë e tensionuar në mes të dy superfuqive.

Trump ka treguar gatishmëri për të rregulluar marrëdhëniet me Rusinë, të cilat janë lëkundur pas konflikteve në Ukrainë dhe Siri.

Presidenti amerikan, Donald Trump është takuar dy herë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, gjatë punimeve të samitit G20 në Hamburg të Gjermanisë.

Para kamerave ata i kanë zgjatur dorën njëri- tjetrit dhe kanë dhënë përshtypjen se janë të gatshëm për të krijuar një atmosferë më të ngrohtë mes dy vendeve.

Mirëpo larg buzëqeshjeve, presioni mes dy palëve vazhdon të rritet pas njoftimit se bashkëpunëtorët e Trumpit dhe zyrtarë rusë, janë takuar mes vete para mbajtjes së zgjedhjeve në SHBA.

Sidoqoftë, ambasadorët e fundit amerikanë në Rusi janë përballur me vështirësi gjatë kryerjes së detyrës.

John Tefft, ambasadori në largim i SHBA-së që ka shërbyer në Rusi është akuzuar disa herë nga përfaqësues të Kremlinit se ka tentuar të nxisë mosmarrëveshje në këtë vend.

Në ditën e tij të dytë të punës, gjatë vitit 2012, një moderator në NTV (televizion i cili kontrollohet nga gjiganti shtetëror Gazprom), e ka akuzuar ambasadorin Tefft, se është dërguar në Rusi për të nxitur revolucion.

Sidoqoftë, Kremlini u tregua i kujdesshëm kur në mars u njoftua për mundësinë që Huntsman të marrë detyrën e ambasadorit në Rusi.

Do të mirëpresim secilin ambasador amerikan në Rusi, i cili do të jetë mbështetës i palëkundur i idesë së zhvillimit të dialogut në mes të dy vendeve”, pati thënë Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin.

‘Politika Potemkin’

Hutsman, një i martuar me shtatë fëmijë, përfshirë edhe dy fëmijë të adoptuar, rrjedh nga një familje e pasur nga Utah, kapital i cili është ndërtuar nga prodhimet kimike.

Kompania e familjes së tij ka disa ndërtesa biznesore në Rusi, shumica prej tyre janë fabrika që prodhojnë substanca të ndryshme kimike për përdorim shtëpiak dhe industrial.

Disa kritikë kanë dyshuar në mundësinë që Huntsman të negociojë me Moskën në mënyrën të paanshme, marrë parasysh interesat e kompanisë së familjes së tij në Rusi.

Huntsman ka një ulëse edhe në bordin e drejtorëve të kompanisë amerikane të automjeteve Ford, e cila ka një numër të fabrikave në Rusi.

Ai është edhe anëtar i kishës Mormone, e cila është vetëm njëra nga objektet fetare që i janë nënshtruar presionit në rritje nga autoritetet ruse.

Sa i përket çështjes së Rusisë, Huntsman është i njohur për disa deklarata që i ka bërë më 2012, kur sfidonte ish-presidentin Barack Obama, i cili po kandidonte për mandatin e dytë si president i SHBA-së.

Huntsman ishte deklaruar rreth çështjeve të SHBA-së me Rusinë, pasi presidenti i atëhershëm Barack Obama, bënte përpjekje për rregullimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo është politikë Potemkin”, pati thënë ai përmes një deklarate.

Ne kemi nevojë për përmirësim të marrëdhënieve me Rusinë, mirëpo ne nuk duhet të bëjmë marrëveshje që pasqyron politikën e njohur si ‘Fshati Potemkin’, përmes së cilës, ne sillemi sikur kemi bashkëpunim me Kremlinin, më shumë se sa në realitet, sikur Kremlini është më demokrat sesa në të vërtetë është, apo ta pasqyrojmë Rusinë si më pak të rrezikshme për fqinjët e saj se sa është tani”, thuhej ndër të tjera në deklaratën e Huntsman.

Kjo deklaratë nuk është e qasshme në faqen ku ishte publikuar për herë të parë, mirëpo gjendet në arkivat e tjera gjatë hulumtimit në internet.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Ndryshohet vendimi për ndalim – udhëtimin në SHBA

Objekti i Gjykatës Supreme, Uashington

 

Gjykata Supreme në SHBA, i ka vënë një pengesë urdhrit të përkohshëm të Trumpit për ndalim-udhëtimin, nga i cili preken personat e gjashte vendeve me shumicë myslimane.

Sipas kësaj gjykate, ky urdhër nuk mund të ndalojë hyrjen e personave nga Irani, Sudani, Libia, Somalia, Siria dhe Jemeni, që kanë familjarë në SHBA, duke përfshirë gjyshërit dhe kushërinjtë.

Mirëpo gjykata i ka dhënë më shumë liri qeverisë për të forcuar masat për pjesën tjetër të vendimit, në të cilin përfshihen refugjatët dhe personat tjerë nga këto vende.

Vendimi i Gjykatës Supreme tani duhet të zbatohet ashtu që, personat nga Irani, Sudani, Libia, Somalia, Siria dhe Jemeni, që kanë gjyshër, nipa, mbesa, kushërinj, dhe anëtarë tjerë të familjes, nuk preken nga urdhri i Trumpit për ndalimin e përkohshëm të hyrjes në SHBA.

Urdhri vlen për më shumë se 24,000 refugjatë, të cilët kanë qenë të anëtarësuar në ndonjë organizatë bamirse në SHBA, dhe tani nuk u lejohet hyrja në këtë vend.

Trump Jr. do të dëshmojë para Komitetit të Senatit

Donald Trump Jr., djali i presidentit të SHBA-së, Donald Trump

Donald Trump Jr., djali i presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe udhëheqësi i fushatës së tij, Paul Manafort, kanë pranuar të dëshmojnë publikisht javën e ardhshme para Komitetit të Senatit, pas hetimeve që po zhvillohen për ndërhyrjen e supozuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 2016.

Komiteti Gjyqësor i Senatit ka njoftuar se dy figurat qendrore të hetimeve do të paraqiten para komitetit më 26 korrik.

Te dy personat janë në krye të hetimeve të Kongresit dhe Departamentit të Drejtësisë, si shkak i informacioneve që dolën se këta persona janë takuar më disa rusë, gjatë fushatës për zgjedhje presidenciale në SHBA.

Është thënë që në këtë takim rusët u kanë premtuar amerikanëve se do t’ju sigurojnë informacione që do të dëmtonin rivalen e Trumpit, demokraten Hillary Clinton.

Avokatja ruse, Natalya Veselnitskaya, që sipas pjesëmarrësve të takimit ka poseduar dokumentacion për Clintonin, i ka thënë kanalit rus RT, se është e gatshme të dëshmojë, “ për të sqaruar situatën pas kësaj histerie të madhe”.

Javën e ardhshme edhe dhëndrri i Trumpit, Jared Kushner, do të dëshmojë para Komitetit të Sentatit për Inteligjenencë, mirëpo procesi do të jetë i mbyllur për publikun.

SHBA dënon një rus për sulme kibernetike

Një rus është dënuar me pesë vite burgim, pasi prokurorët e SHBA-së, kanë thënë se ai ka qenë pjesë e krijimit të sofistikuar të virusit, i cili u përdor për vjedhjen e informacioneve financiare nga mijëra kompjuterë në gjithë botën.

Mark Vartanyan, i njohur si “Kolypto,” është dënuar nga një gjykatë e SHBA-së në Atlanta, pasi pati pranuar fajin në mars, për mashtrime kompjuterike.

Në dënim përfshihen edhe dy vite vite të paraburgimit të tij në Norvegji, përpara se të ekstradohej në SHBA, në dhjetor.

Prokurorët kanë thënë se Vartanyan, gjatë periudhës 2012-2014, sa ka jetuar në Ukrainë dhe Norvegji, ka ndihmuar në krijimin e softverit Citadel.

Ky virus ishte dizajnuar për vjedhjen e informacioneve personale dhe financiare nga rrjetet kompjuterike.

Sipas prokurorëve ai ka infektuar rreth 11 milionë kompjuterë në gjithë botën dhe ka shkaktuar humbje në vlerë të 500 milionë dollarëve.

DASH: ISIS-i kërcënimi më i madh terrorist në botë

Departamenti amerikan i Shtetit në raportin vjetor për terrorizmin, tha se me gjithë faktin që sulmet terroriste dhe pasojat në njerëz nga terrorizmi kanë shënuar rënie në nivel botëror në vitin 2016, grupet terroriste vazhduan të shfrytëzojnë territoret pa pushtet dhe konfliktet për të zgjeruar shtrirjen e tyre dhe për të drejtuar e frymëzuar sulme gjithandej nëpër botë.

Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë (ISIS) mbeti kërcënimi më i madh terrorist në shkallë globale, me tetë degë të njohura dhe një numër rrjetesh të panjohura që veprojnë përtej qendrës së grupit në Irak dhe Siri.

Al-Qa’ida dhe partnerët e saj rajonal mbeten kërcënim për sigurinë amerikane dhe interesat e Shteteve të Bashkuara, përkundër trysnisë kundër terroriste nga partnerët e Shteteve të Bashkuara dhe shtimin e përpjekjeve ndërkombëtare për të luftuar ideologjinë e dhunshme islamike.

Shqipëria

Shqipëria ishte mbështetëse e fuqishme e përpjekjeve kundër terroriste në vitin 2016 dhe ka vazhduar pjesëmarrjen në koalicionin global për mposhtjen e ISIS-it, duke bërë dhurime të konsiderueshme më armë dhe municione.

Më 4 dhe 5 nëntor të vitit 2016 një operacion i bashkërenduar rajonal kundër terrorizmit çoi në arrestimin e katër vetave në Shqipëri. Operacioni parandaloi një sulm të mundshëm në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit që duhej të mbahej në Shkodër më 12 nëntor. Të arrestuarit u akuzuan për mbështetje financiare e logjistike të ISIS-it, duke rekrutuar njerëz në emër të tij dhe duke nxitur gjuhë të urrejtjes.

Në raport vlerësohet se Shqipëria ka penalizuar të gjitha veprimtaritë që kanë të bëjnë me terrorizmin, nxitjen dhe financimin e tij, rekrutimin e pjesëmarrjen në organizata terroriste. Në vitin 2016, nëntë të akuzuar ne lidhje më veprime të tilla, u shpallën fajtor dhe u dënuan me nga 7 deri në 18 vjet heqje lirie. Një gjykatë e apelit në muajin nëntor, zbuti dënimet për pesë veta.

Në raport thuhet se Shqipëria ka shtuar përpjekjet për kundërvënie ndaj kërcënimeve terroriste. Në këtë kuadër përmendet bashkëpunimi i ngushtë i Njësisë së zgjeruar Kundër Terroriste të Policisë së shtetit me Departamentin amerikan të Drejtësisë dhe Programin Mbështetës Trajnues të Hetimit të Krimit Ndërkombëtarë ICITAP. Në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe financimin e Departamentit amerikan të shtetit, ICITAP-i ka siguruar pajisje dhe trajnime për qeverinë shqiptare, për mbledhjen e gjurmëve të gishtërinjve në vendkalimet kufitare. Kjo ka shtuar mundësitë e policisë shqiptare që të mbledhë të dhënat biometrike për individë të caktuar në vendkalimet kufitare.

Departamenti amerikan i Drejtësisë me programin e tij të vendosur në Tiranë, ka vazhduar të ofrojë mbështetje dhe trajnim për prokurorët, zyrtarët e sundimit të ligjit dhe hetuesit financiar, analistët e zbulimit dhe gjykatësit nga Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia dhe Serbia që punojnë me rastet e luftëtarëve të huaj dhe rastet e lidhura me terrorizmin.

Në raport thuhet se korrupsioni i shoqëruar edhe me funksionimin e dobët të sistemit të drejtësisë ka vazhduar të pengojë përpjekjet për sundimin e ligjit në të gjitha nivelet në Shqipëri.

Shqipëria është pjesë e organizatave që luftojnë financimin e terrorizimit dhe që nga qershori i vitit 2012, ajo ka punuar në adresimin e dobësive në këtë fushë duke shënuar përparime të konsiderueshme.

Në vitin 2015 qeveria shqiptare hartoi dhe miratoi strategjinë kombëtare për luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm. Në vitin 2016, qeveria emëroi bashkërenduesin kombëtar për luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm që është i ngarkuar me mbikëqyrjen e zbatimit të strategjisë kombëtare. Ajo në shtator të vitit 2016, ishte mikpritëse e një tryeze dyditëshe mbi radikalizmin dhe rekrutimin e luftëtarëve të huaj. Qeveria shqiptare ishte bashkorganizatore e një ngjarjeje në New York me temën “luftimi i ekstremizmit të dhunshëm nëpërmjet arsimimit” për të veçuar rolin që ka arsimi në nxitjen e tolerancës dhe gjithëpërfshirjes në mesin e të rinjve. Qeveria shqiptare ka zhvilluar një program sprovë për të trajnuar mësimdhënësit që të zbatojnë plan-programet arsimore mbi tolerancën fetare në shkolla.

Kosova

Raporti theksin se kërcënimi nga ekstremizmi i dhunshëm islamik ishte në rritje në Kosovë, i mbështetur pjesërisht nga fondet e organizatave të huaja që predikonin ideologji ekstremiste dhe grupet e dhunshme ekstremiste që shfrytëzuan mediet sociale për të përhapur propagandë dhe për të rekrutuar mbështetës.

Afërisht 315 luftëtarë të huaj terrorist nga Kosova udhëtuan për në Siri dhe Irak për të luftuar për ISIS-in apo Frontin al‑Nusrah Front, nga të cilët rreth 58 janë vrarë. Qeveria e Kosovës po zbaton një strategji gjithëpërfshirëse dhe një plan veprimi kundër ekstremizmit të dhunshëm. Drejtoria kundër terrorizmit e policisë së Kosovës po shton mundësitë e saj duke shtuar personelin dhe duke zhvilluar njësinë e kundër terrorizimit kibernetik. Qeveria e Kosovës ka vazhduar bashkëpunimin e saj në këtë fushë me Shtetet e Bashkuara të cilat ndihmuan forcat e ligjit dhe institucionet e drejtësisë në rastet e që kanë të bëjnë me kundër terrorizmin.

Në raport thuhet se për shkak që situata politike dhe e sigurisë në veriun e Kosovës ka vazhduar të kufizojë mundësitë e qeverisë për të ushtruar autoritetin e saj të plotë në të zonë, trupat e NATO-s dhe ato të EULEX-it, kanë vazhduar të punojnë me policinë e Kosovës për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe forcimin e sundimit të ligjit përfshirë edhe kufijtë. Ndonëse Kosova dhe Serbia fqinje nuk bashkëpunojnë zakonisht në çështjet e kundër terrorizmit. qeveritë kanë një plan të Menaxhimit të Integruar të kufirit që nga viti 2013 dhe kanë marrë pjesë ne trajnimet e financuara nga Shtetet e Bashkuara.

Kosova është anëtare e Koalicionit Global për Mposhtjen e ISIS-it dhe ka ndërmarrë hapa në shumë linja për brenda kufijve të mundësive të saj. Ajo është përqendruar pikë së pari në ndërprerjen e valës së luftëtarëve të huaj terrorist dhe pengimin e financimit të grupeve terroriste. Kosova nuk është anëtare e OKB-së por është zotuar të zbatojë rezolutën 2178 të Këshilli të Sigurimit të OKB-së.

Raporti përmend sulmin e 4 gushtit në ndërtesën e parlamentit të Kosovës që kaloi pa dëme në njerëz.

Raporti thekson se Kosova ka një kuadër ligjor gjithëpërfshirës mbi të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me terrorizmin dhe u ofron autoriteteve mjetet e domosdoshme për të luftuar çdo formë të terrorizmit. Në këtë kuadër raporti përmend edhe ligjin që ndalon përfshirjen e qytetarëve të saj në ushtritë e huaja, policitë apo formacionet paraushtarake jashtë territorit të Kosovës duke paraparë dënime deri në 15 vjet heqje lirie për rastet e tilla.

Raporti vë në pah edhe sfidat që mbesin në rrugën e forcimit të mundësive të autoriteteve për t’u përballur me terrorizmin përfshirë edhe faktin që Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it dhe EUROPOL-it.

Në vitin 2016, policia kufitare e Kosovës në bashkëpunim me vendet e rajonit dhe Turqinë, identifikoi dhe ndaloi të paktën pesë veta që të udhëtojnë për në Siri dhe një qytetar u arrestua pas kthimit nga zona e konfliktit. Megjithatë, të paktën pesë veta arritën në Siri.

Më mbështetjen amerikane, policia kufitare po trajnohet për të qenë në gjendje që të identifikojë më herët personat që kanë lidhje me terrorizmin. Për më tepër Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mundësi trajnimi për të gjitha aspektet e kundër terrorizmit nëpërmjet zyrave të ndryshme të institucioneve amerikane.

Në raport thuhet se po vazhdojnë proceset gjyqësore për disa nga 59 të dyshuarit e arrestuar në gusht të vitit 2014 gjatë operacionit më të madh kundër terrorist të qeverisë së Kosovës. Hetimet po vazhdojnë ndaj një duzinë të dyshuarish, përfshirë edhe disa imamë.

Gjatë vitit 2016, autoritetet e Kosovës arrestuan 32 veta nën akuzat që lidhen me terrorizmin, përfshirë 18 veta në muajin nëntor. Autoritetet shpallën dënime në disa raste të profilit të lartë, përfshirë dënimin e shtatë vetave më 42 vjet heqje lirie në muajin maj dhe katër vetave me 49 vjet në muajin qershor për përfshirje në ISIS. Po ashtu autoritetet pezulluan veprimtaritë e 21 Organizatave Joqeveritare të dyshuara për mbështetje të ekstremizmit të dhunshëm.

Kosova, thuhet në raport, ka dëshmuar vullnet politik për t’u përballur me kërcënimet nga terrorizmi dhe shteti ka kuadër ligjor për ta bërë këtë. Institucionet kombëtare kanë forcuar mundësitë e tyre për hetimin dhe përndjekjen e rasteve, por mundësitë, burimet dhe përvoja e kufizuar, ka vazhduar të kufizojë aftësinë e tyre për t’u përballur në mënyrë më të frytshme me rastet e terrorizmit.

Raporti thekson se Kosova ka miratuar ligjin që sanksionin financimin e terrorizmit, por ka vështirësi në përndjekjen dhe ngrirjen dhe konfiskimin e pasurive të individëve.

Një nga synimet kryesore të strategjisë së qeverisë për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm është parandalimi i këtij ekstremizmi dhe radikalizmit. Kjo përfshinë ngritjen e vetëdijes mbi radikalizmin në komunitete dhe shtimin e mundësive për luftën kundër tij. Ministria e Punëve të Brendshme po teston një mekanizëm në komunën e Gjilanit që mbledh së bashku zyrtarët lokal, udhëheqësit fetarë dhe shoqërinë civile për të diskutuar shqetësimet mbi radikalizmin që çon në dhunë. Strategjia e Kosovës përfshinë edhe përgatitjen dhe promovimin e kundër-rrëfimeve që dobësojnë peshën e mesazheve ekstremiste. Strategjia po ashtu përfshinë de radikalizimin dhe ri integrimin e personave të radikalizuar. Kjo përfshinë edhe mbështetjen për individët e radikalizuar që të braktisin ideologjitë ekstremiste, vlerësimin e rrezikut nga individët e kthyer nga konfliktet dhe ndërgjegjësimin e sistemit korrektues për rreziqet nga terroristët e burgosur.

Raporti tërheq vërejtjen se anëtarësimi i Kosovës në shumë organizata rajonale e ndërkombëtare, përshirë Kombet e Bashkuara është bllokuar nga vendet që nuk e njohin pavarësinë e saj dhe kjo dëmton bashkëpunimin në shumë çështje, përfshirë edhe kundër terrorizmin.

Avokatja ruse, e gatshme të dëshmojë për takimin me djalin e Trumpit

Natalya Veselnitskaya dhe Donald Trump Jr.

Avokatja ruse, Natalya Veselnitskaya, tha se është e gatshme të dëshmojë para Kongresit të Shteteve të Bashkuara për takimin me djalin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Veselnitskaya ka takuar Donald Trump Jr. në qershor të vitit 2016, në Kullën Trump në Nju Jork.

Trump Jr. i është thënë se Veselnitskaya është avokate e Qeverisë ruse, e cila mund të ketë informacione dëmtuese për kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton.

Takimi i tij me Veselnitskayan ka rritur dyshimet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e kaluar.

“Jam e gatshme të dëshmoj për situatën që qëndron pas kësaj histerie masive, por vetëm përmes avokatëve ose duke dëshmuar në Senat”, tha Veselnitskaya në një intervistë për kanalin rus RT.

Veselnitskaya ka thënë më herët se ajo është avokate private dhe se nuk ka lidhje me Kremlinin.

Trumpi dhe Putini u takuan dy herë në Hamburg; takimi i dytë nuk u njoftua nga Shtëpia e Bardhë

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë konfirmuan të martën mbrëma se në samitin e G20-s këtë muaj në Gjermani, Presidenti i SHBA, Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin patën një takim të dytë, që nuk u bë publik për mediat.

Të dy presidentët u takuan ballë për ballë për herë të parë në Hamburg më 7 korrik, për më shumë se dy orë bisedime që u mbuluan gjerësisht nga mediat.

Por tani del se zoti Trump dhe zoti Putin kanë patur një bisedë të dytë gjatë një darke po atë mbrëmje, të shtruar për krerët e shteteve nga Grupi i 20-s.

Presidenti Trump komentoi pa vonesë në Twitter për të hedhur poshtë njoftimet e medias: “Lajmi i rremë për darkën sekrete me Putinin është ‘i neveritshëm”.

Ende nuk është njoftuar se përse u diskutua në këtë bisedë, e cila zgjati afërsisht një orë, sipas Ian Bremmer, president për konsulencën e rrezukut politik pranë “Eurasia Group”.

‘Thjesht një bisedë e shkurtër’

Shtëpia e Bardhë ofroi një variant mjaft të ndryshëm. Zyrtarë që nuk pranuan të identifikohen, thanë: “Nuk pati takim të dytë midis Presidentit Trump dhe Presidentit Putin; ishte thjesht një bisedë e shkurtër në fund të një darke”.

Zoti Bremmer e njoftoi për herë të parë takimin Trump-Putin të martën në një buletin lajmesh dërguar klientëve të tij. Ai u tha rrjeteve televizive amerikane se kishte mësuar për bisedën Trump-Putin nga ata që kishin marrë pjesë në darkën zyrtare, ku media nuk ishte lejuar.

Me dy presidentët ishte vetëm përkthyesi i zotit Putin. Të ftuarit e tjerë ishin ulur në afërsi të tyre, por tryezat e mëdha dhe mënyra se si ishin ulur të pranishmit bënë të mundur që biseda të mos dëgjohej nga askush.

U.S. President Donald Trump visits with Argentina's president's wife Juliana Awada, from left, at the G20 summit dinner after a concert in Hamburg, Germany, July 7, 2017.

U.S. President Donald Trump visits with Argentina’s president’s wife Juliana Awada, from left, at the G20 summit dinner after a concert in Hamburg, Germany, July 7, 2017.

Asnjë përkthyes amerikan i pranishëm

Fakti që përkthyesi i zotit Trump nuk ishte i pranishëm në bisedë shkaktoi habi mes udhëheqësve të tjerë në darkë, sipas zotit Bremmer, i cili e quan këtë një “shkelje të protokollit të sigurisë kombëtare.” Shtëpia e Bardhë tha megjithatë se në darkë u lejua vetëm nga një përkthyes për delegacion dhe se zoti Trump kishte me vete një përkthyes që fliste japonisht, por jo rusisht.

Zoti Bremmer tha për gazetën Washington Post se krerët e tjerë që u bënë dëshmitarë të takimit mbetën të habitur, sepse biseda u zhvillua në sy të të gjithëve, por në një distancë nga e cila askush nuk mund të dëgjonte se për çfarë po flitej.

“Thuajse të gjithë pjesmarrësisht në darkë menduan se kjo ishte diçka shumë e çuditshme”, tha zoti Bremmer për gazetën New York Times. “... Ja ku është presidenti i Shteteve të Bashkuara, i cili në mënyrë të qartë dëshiron të tregojë se ka një marrëdhënie më të mirë personale me Presidentin Putin sesa me ndonjërin prej nesh, ose thjesht ai nuk do t’ia dijë. Kjo i habiti dhe hutoi të gjithë.”

Russia's President Vladimir Putin talks to Melania Trump during the official dinner at the Elbphilharmonie Concert Hall during the G20 summit in Hamburg, Germany, July 7, 2017.

Russia’s President Vladimir Putin talks to Melania Trump during the official dinner at the Elbphilharmonie Concert Hall during the G20 summit in Hamburg, Germany, July 7, 2017.

Asnjë dokumentim zyrtar i bisedës

Lidhur me bisedën e dytë Trump-Putin, mediat vunë në dukje se qeveria amerikane nuk mbajti asnjë dokumentacion zyrtar të takimit Trump-Putin, pasi asnjë zyrtar tjetër amerikan nuk e shoqëroi zotin Trump për bisedën, sado e shkurtër apo e gjatë ishte ajo.

Rrjetet amerikane të lajmeve e mbuluan takimin Trump-Putin si lajm urgjent, duke bërë që komentatorët të vinin në dukje se momenti në të cilin u bë e ditur biseda nuk ishte aspak i favorshëm për administratën.

Javën e kaluar, gjithçka u dominuan nga mbulimi prej medias i një takimi në qershor 2016 midis djalit të madh të presidentit, Donald Trump Jr, dhe një numri rusësh duke përfshirë një avokate të lidhur me Kremlinin; një ish-agjent sovjetik; një përkthyes i hetuar më parë për pastrim parash si dhe një përkthyes i dytë rus.

Trump Jr u përpoq ta minimizonte takimin në Nju Jork si një bisedë rutinë, të shkurtër dhe pa rëndësi, por më vonë, kur nga media u mësuan hollësi të tjera dhe prania e njerëzve që merrnin pjesë, ai u detyrua ta ndryshonte versionin e tij disa herë.

Shtëpia e Bardhë përgjigjet ngadalë

Presidenti ka vazhduar të mohojë ndonjë bashkëpunim me Rusinë dhe këmbëngul se SHBA do të përfitonin nëse ai do të arrinte të ndërtonte një miqësi personale me udhëheqësin rus.

Të martën mbrëma zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë reaguan me vonesë në përgjigje të pyetjeve të mediave për takimin e dytë Trump-Putin në Hamburg.

Zyrtarët thanë më vonë se çdo nocion se administrata po përpiqej ta fshihte takimin e dytë ishte “i rremë, keqdashës dhe absurd”.

Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën mbrëma se Presidenti Trump ka vendosur të emërojë ish guvernatorin e shtetit Utah dhe ambasadorin e SHBA në Kinë Jon Huntsman si ambasador të ardhshëm të SHBA në Moskë.

Trumpi hedh poshtë pretendimet për takim sekret me Putin në Samitin G20

“Lajmi i rremë se unë jam takuar me Putinin në një darkë sekrete është ‘i sëmurë’. Të gjithë liderët dhe bashkëshortet ishin aty si të ftuar të kancelares gjermane”, tha Trump

ANKARA – Presidenti i SHBA-ve Donald Trump reagoi kundër lajmeve në mediat amerikane se ai ka zhvilluar një takim jozyrtar me presidentin e Rusisë Vladimir Putin në kuadër të Samitit G20 të organizuar në qytetin Hamburg të Gjermanisë.

Trump në një mesazh të publikuar në rrjetin social në Twitter për pretendimet e mediave amerikane të bazuara në zyrtarin e Shtëpisë së Bardhë tha se janë “të sëmura”.

Duke vënë në dukje se me Putin nuk ka pasur kontakte përveç takimit zyrtar dypalësh, Trump tha se në darkën ku pretendohet se është zhvilluar takimi kanë qenë të ftuar të gjithë liderët dhe bashkëshortet e tyre.

“Lajmi i rremë se unë jam takuar me Putinin në një darkë sekrete është ‘i sëmurë’. Të gjithë liderët dhe bashkëshortet ishin aty si të ftuar të kancelares gjermane. Mediat e dinë mjaft mirë këtë”, ka shkruar Trump.

Duke iu referuar mediave të cilat e kritikojnë atë duke filluar nga CNN, Trump tha se ky lajm është shtrembëruar qëllimisht. “Lajmet e rreme çdo ditë e më shumë po bëhen dyfytyrëshe. Edhe një darkë të organizuar për liderët e Samitit G20 po tregohet me qëllim të keq”, tha ai.

Trump dhe Putin më 7 korrik në kuadër të Samitit të Liderëve G20 në Hamburg, realizuan takimin e parë kokë më kokë, ku ishte bërë e ditur se gjatë këtij takimi është bërë këmbimi i mendimeve për tema të ndryshme duke filluar nga ndërhyrja e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA e deri tek armëpushimi në Siri.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i cili nuk dëshiron që emri i tij të bëhet i ditur në një deklaratë për mediat amerikane pretendoi se pas takimit dypalësh të liderëve Trump dhe Putin më 7 korrik, në darkën e Samitit G-20 kanë zhvilluar edhe një takim jozyrtar të papublikuar në media.

SHBA – Vuçiçit: Mos i jep status diplomatik bazës ruse në Nish

Zëvendëspresidenti Majk Pence gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë i ka kërkuar Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, që të mos i jepet status diplomatik bazës ruse në Nish, e cila operon si qendër humanitare. Lajmi është bërë i ditur nga mediat serbe.

“Është e rëndësishme që ndikimi i Rusisë në këtë pjesë të Ballkanit të mos zgjerohet dhe të kuptohet pse SHBA-të janë të shqetësuara, ka thënë zëvendës presidenti amerikan Mike Pence në takimin me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç në Uashington” kanë raportuar mediat serbe.

Gazeta serbe “Blic” po ashtu ka shkruar se takimi Vuçiç-Pence ka kaluar “me më pak dramë” se sa që ishte rastin me administratën e mëhershme, është diskutuar për ndikimin rus në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.

Bobitt: “Skandali në Shtëpinë e Bardhë duhet të përfundojë me dorëheqjen e Trumpit”

Profesori i Fakultet Juridik në Universitetin e Columbias, Philip Bobbitt, ka analizuar krizën që kanë shkaktuar djali dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se për shkak të personave të njëjtë presidenti i ri amerikan do të detyrohet të japë dorëheqje, shkruan Independent.

Posta elektronike e Trump juniorit (Jr.), së fundmi ka zbuluar se gjatë verës së kaluar ai ishte takuar me avokaten ruse Natalia Veselnickaja, kurse në këtë takim kishte marrë pjesë edhe dhëndri i Trumpit, Jared Kuschner, si dhe Paul Manafort – udhëheqësi i atëhershëm i fushatës së republikanëve. Trump Jr i ishte përgjigjur pa përtesë ofertës lidhur me “informatat inkriminuese” për Hillary Clintonin, kandidaten demokrate për presidente të Amerikës, transmeton Telegrafi.

“Çfarëdo që të jenë qëllimet e Trumpit gjatë fushatës, tashmë dihet se qëllimi kryesor i tij ka qenë krijimi i një dinastie, pasi ai kishte shkatërruar dy dinasti gjatë fushatës së tij të fundit”, ka shkruar profesori Bobbitt në analizën e tij në “Evening Standard”.
“Aktualisht, dorëheqja po duket të jetë si opsioni i fundit, por presidenti ndoshta do të detyrohet të vendosë për një lëvizje të tillë nëse dëshiron të shpëtojë fëmijët e tij nga burgu dhe veten nga ndjekjet penale”, ka shtuar profesori.

Ky ekspert beson se alternativa më e mirë do të ishte dorëheqja. Por, sipas Bobbittit, Trumpi nuk do të mund të largohet lehtë nga ky kaos i krijuar pas akuzave se ka bashkëpunuar me Rusinë gjatë fushatës presidenciale.
Bobbitt shprehet se nëse kërkohet llogaridhënia e Trumpit, në vend të dorëheqjes së tij, kjo ndodh jo pse ai ka marrë mito, por sepse ai atë e ka ofruar.

“Trumpi i ka thënë Comeyt se do të mendojë për atë nëse do ta lë në pozitën e drejtorit të FBI-së, derisa në anën tjetër ka kërkuar nga ai të heq dorë nga hetimi lidhur me dyshimet për bashkëpunimin me Rusinë gjatë fushatës presidenciale. Thjesht, ka qenë një ofertë për ryshfet në të njëjtën mënyrë siç kishte vepruar Nixoni me një gjyqtar”, ka shtuar ai.

SHBA: Trumpi e ka pasur edhe takimin e dytë me Putinin

Pamje nga takimi Trump – Putin më 7 korrik në samitin G20 në Gjermani

 

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e kanë mbajtur edhe takimin e dytë, të cilin nuk e kanë zbuluar më parë, gjatë samitit të grupit të 20 vendeve më të industrializuara të botës, në fillim të këtij muaji në Gjermani, ka njoftuar mbrëmë Shtëpia e Bardhë.

Të dy zyrtarët e lartë e kanë mbajtur një takim bilateral, që ka zgjatur më tepër se dy orë, më 7 korrik, ndërsa zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump dhe Putin, po ashtu, kishin “një bisedë të shkurtër” gjatë darkës së liderëve botërorë në samit.

Në pamjet televizive të darkës shihet se Melania Trump, bashkëshorte e presidentit, Donald Trump, ishte ulur afër Putinit.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se në këtë takim rolin e përkthyesit e kishte një person rus, pasi përkthyesi amerikan në këtë darkë nuk fliste rusisht.

Zoti Trump është nën shqyrtim intensiv për shkak të dyshimeve se ekipi i fushatës së tij ndoshta ka bashkëpunuar me përpjekjet ruse për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale amerikane në vitin 2016.

Zoti Trump e ka hedhur poshtë çfarëdo bashkëpunimi me rusët.

Takimi në “Trump Tower”, mediat zbulojnë identitetin e një tjetër personi

Një përfaqësues i një kompanie ruse që operon në fushën e pasurive të patundshme ishte personi i tetë në takimin e zhvilluar në “Trump Tower”, organizuar gjatë fushatës nga Donald Trump Jr., djali i madh i presidentit.

Avokati Scott Balber konfirmoi të martën për gazetën “Washington Post” dhe rrjetin mediatik CNN se Ike Kaveladze përfaqësonte bisnesmenët në fushën e pasurive të paluajtshme Emin dhe Aras Agalarov, në takimin e zhvilluar në qershor vitit e 2016 në kullën Trump.

Avokati tha se ai ishte kontaktuar nga zyra e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller në lidhje me identitetin e Ike Kaveladze.

Në 2013 Emin dhe Aras Agalarovs organizuan konkursin e Miss Universit në Moskë, pronësinë për të cilin e kishte Donald Trump.

Dy ruso-amerikanë, Anatoly Samochorov dhe Rinat Akhmetshin, u identifikuan nga mediat si shoqëruesit e avokates Natalia Veselnitskaja në takimin, për të cilin djali i Presidentit Trump, fillimisht pati thënë se ishte zhvilluar thjesht për t’i ndaluar amerikanët të adoptojnë fëmijë rusë.

Gjithashtu në takimin me avokate ruse mori pjesë edhe kryetari i fushatës së Donald Trump, Paul Manafort si dhe dhëndri i tij Jared Kushner.

Në emaile, Trump Jr. djali, i madh i presidentit, shprehej entuziast rreth takimit të tij me avokaten që i premtoi të jepte informacione që do të dëmtonin kandidaten demokrate Hillary Clinton.

SHBA: Irani po respekton marrëveshjen bërthamore

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Rex Tillerson, përgjegjës për rishikimin e politikës amerikane ndaj Iranit

 

Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka siguruar se Irani është duke vepruar në përputhje me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dhe do të vazhdojë lehtësimin e sanksioneve për këtë pakt, mirëpo do të vazhdojë të sanksionojë Iranin për raketat balistike.

Kjo është hera e dytë që kjo administratë, prej kur presidenti Trump nisi udhëheqjen e SHBA-së, vërtetoi se marrëveshja është duke u respektuar.

Presidenti Trump pati premtuar gjatë fushtatës së tij presidenciale se do të prishte atë që ai e konsideronte, “marrëveshjen më të keqe të bërë ndonjëherë”.

Sidoqoftë, administrata Trump e ka kritikuar Teheranin për shkelje “ të shpirtit” të marrëveshjes, pasi Irani po vazhdon avancimin e programit të raketave balistike dhe anijeve të shpejta, çështje që mund të ndëshkohen me sanksione të reja.

Administrata e Trumpit ka përmendur edhe shqetësimin që vjen rreth abuzimit të të drejtave të njeriut në Iran dhe mbështetjen e terrorizmit kundër Izraelit.

“Irani vazhdon të jetë njëri nga kërcënimet më të rrezikshme për interesat e SHBA-së dhe stabilitetit rajonal”, ka thënë një zyrtarë i lartë i SHBA-së.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, ka thënë se Irani është konfuz me deklaratat e fundit të SHBA-së.

“Jemi duke pranuar sinjale kontradiktore dhe nuk e dimë se si duhet t’i interpretojmë”, ka thënë Zarif, duke shtuar se “Irani ëshë shumë serioz në marrveshjen e armëve bërthamore”.

Vendim i ri për udhrin e ndalim – udhëtimit në SHBA

Departamenti i Shtetit në SHBA, ka thënë se do t’u lejojë hyrjen gjyshërve, kushërinjëve dhe kategorive të tjera familjare, nga gjashtë vende me shumicë myslimane, që kanë ndonjë anëtar të familjes në SHBA.

Ky vendim nga departamenti vjen si përgjigje ndaj një gjykate në SHBA, e cila mori vendim javën e kaluar kundër këtyre ndalimeve, për të cilat kishte njoftuar më parë Departamenti i Shtetit.

Sipas interpretimit të vendimit të ndalim-udhëtimit nga ky department vizitorët nga Irani, Siria, Jemeni, Libia, Somalia, dhe Sudani, mund të hynin në SHBA vetëm në rast se kishin ndonjë familjar apo marrëdhënië të mira në këtë vend.

Mirëpo departamenti pati deklaruar se kategori familjare konsiderohen vetëm bashkëshortët, të fejuarit, fëmijët, dhe motrat e vëllezërit.

Por shteti i Havajit i ka sfiduar me sukes këto ndalime, duke mos u pajtuar me interpretimin që i ka bërë Departamenti i Shtetit, vendimit të Gjykatës Supreme.

Gjyqatari Derrick Watson në Honolulu ka thënë se vendimi duhet të fuqizohet menjëherë.

Administrata e presidentit Trump i ka kërkuar Gjykatës Supreme, të bllokojë një vendim të tillë.

Vuçiçi në Uashington, në agjendë edhe rasti i vëllezërve Bytyçi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiçi, ndodhet në Uashington për vizitën e parë zyrtare prejse ka marrë detyrën e të parit të shtetit, në fund të muajit maj.

Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë bën të ditur se Vuçiq do të takojë nënpresidentin amerikan, Mike Pence, dhe zyrtarë të tjerë.

Në prag të shkuarjes së Vuçiqit në SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve atje ka miratuar një rezolutë, e cila i kërkon Pentagonit raporte për bashkëpunimin ushtarak Rusi-Serbi.

Pos Rusisë, në mesin e temave që do të diskutohen në takimet e Vuçiqit pritet të jetë edhe sulmi mbi ambasadën amerikane në Beograd, katër ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si dhe vrasja e vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova.

Shëndeti i zotit McCain pengon votimin e ligjit të shërbimit shëndetësor

Udhëheqësi i shumicës republikane në Kongresin amerikan Mitch McConnell tha se do ta shtyjë procedurën e votimit për projektligjin e rishikuar nga republikanët të shërbimit shëndetësor.

Ky njoftim i zotit McConnell erdhi pas lajmit se mjekët e kanë këshilluar senatorin republikan të Arizonës John McCain të mos udhëtojë për një javë, pasi iu nënshtrua të shtunën një operacioni.

Mungesa e senatorit të fuqishëm McCain në senatin e ndarë me një diferencë fare të vogël, e rrezikon projektligjin e shërbimit shëndetësor.

80 vjeçari McCain, është duke pushuar pas operacionit, thuhet në një deklaratë të spitalit të Arizonës.

Klinika Mayo e Feniksit tha se pas një kontrolli rutinë, senatori McCain ju nënshtrua operacionit për heqjen e një tromboze 5 centimetërshe të krijuar nga mpiksja e gjakut, mbi syrin e tij të majtë.

Zoti McCain, ka një të kaluar heroike. Ai është veteran i Luftës së Vietnamit, ku dhe u zu rob. Ai u zgjodh për herë të parë senator në vitin 1986. Në zgjedhjet presidenciale të 2008-ës ai ishte kandidati republikan, që i humbi zgjedhjet ndaj rivalit të tij demokrat Barack Obama.

SHBA, ceremoni për të kujtuar udhëtimin e parë në Hënë

Dyzet e tetë vjet pas uljes në hënë, astronauti i anijes së hapësirës Apollo 11 Buzz Aldrin, eci mbrëmë në qilimin e kuq në Qendrën Hapësinore Kennedy. Aldrin, 87 vjeç, përkujtoi përvjetorin e ardhshëm të misionit të vitit 1969 në hënë me raketën Saturn V dhe grumbulloi më shumë se 190,000 dollarë për fondacionin e tij jofitimprurës të arsimit hapësinor, ShareSpace.

Buzz Aldrin beson se njerëzit do të jenë në gjendje të mbërrijnë në Mars deri në vitin 2040, që është edhe qëllimi i NASA-s. Agjensia hapësinore po zhvillon sistemin e lëshimit në hapësirë të anijes Orion për të dërguar amerikanë në thellësitë e hapësirës .

: Astronaut Buzz Aldrin walks on the surface of the moon near the leg of the lunar module Eagle during the Apollo 11 extravehicular activity (EVA).

: Astronaut Buzz Aldrin walks on the surface of the moon near the leg of the lunar module Eagle during the Apollo 11 extravehicular activity (EVA).

Gjatë mbrëmjes, të shtunën, Fondacioni ShareSpace nderoi afaristin Jeff Bezos me çmimin e parë Buzz Aldrin Space Innovation. Bezos, themeluesi i kompanisë Amazon.com dhe i kompanisë BlueForce e Spaceflight, po përpiqet të ulë koston e udhëtimit në hapësirë, duke ri-përdorur raketat. Fondacioni gjithashtu nderoi ish astronautin e NASA-s, Mae Jemison, gruan e parë afrikano-amerikane që ka udhëtuar në hapësirë, me çmimin Buzz Aldrin Space Pioneering.

Mbrëmja e zhvilluar është pjesa e parë e një fushate trevjeçare deri në 50 vjetorin e uljes në Hënë për të ndihmuar në grumbullimin e fondeve që do të çojnë në krijimin e vendbanimeve të ardhëshme në Mars.

Fondacioni ShareSpace shpalli të shtunën një organizatë jofitimprurëse të re, Buzz Aldrin Space Foundation, për të krijuar një rrugë edukimi për Marsin. Gjatë vitit të kaluar, fondacioni ka dhuruar 100 harta gjigante të Marsit në shkolla dhe vazhdon të punojë me fëmijët për të çuar përpara arsimin në shkencë, teknologji, inxhinieri, art dhe matematikë.

Radioja “Sputnik” e Kremlinit fillon transmetimet në Uashington

Radioja shtetërore ruse Sputnik filloi transmetimet në zonën e Uashingtonit, në një hap që ajo shpreson të jetë i pari për të zgjeruar audiencën amerikane duke përcjellë ato që ajo quan “lajme alternative”. Sputnik thotë se i jep zë pikëpamjeve të grupeve të pakicave dhe mbështet një program kundër linjës tradicionale. Por kritikët thonë se Sputniku funksionon si pjesë e makinerisë së propagandës të Kremlinit, që ka si synim sabotimin e institucioneve perëndimore.

Radioja ruse Sputnik thotë se transmetimet në zonën e Uashingtonit do t’u japin mundësi amerikanëve në kryeqytetin e vendit që ta dëgjojnë atë direkt dhe jo vetëm zërat që flasin për të.

“Njerëzit kanë dëgjuar shumë për ne. Për fat të keq, deri tani nuk na dëgjonin dot. Dhe njerëz që kanë folur shpesh për ne, as nuk përpiqeshin të na dëgjonin dhe të na paraqisnin ashtu siç na shihnin, të paraqisnin atë që bënim, me saktësi”, thotë shefi i zyrës së Uashingtonit, Mindia Gavasheli.

Sputniku dhe media të tjera shtetërore ruse pretendojnë se nxisin këndvështrime jotradicionale, por jo propagandën e Kremlinit

Shumë, si për shembull Robert Orttung i Universitetit “George Washington” që studion median e Kremlinit, nuk janë dakord.

“Në fund të fundit, ky është synimi i këtyre mediave, ky është synimi i politikës së jashtme ruse në përgjithësi, të sabotojnë demokracinë tonë, të minojnë besimin e popullit amerikan tek institucionet tona”.

Sputnik pushoi nga puna në maj korrespondentin e vet në Shtëpinë e Bardhë, Andrew Feinberg, i cili më pas u bë një kritik i zëshëm.

“Pa diskutim që është propagandë. Ideja se ata po sulmohen nga media është qesharake. Ata po kritikohen sepse raportojnë gjysmë të vërteta dhe në disa raste, gënjeshtra”, thotë ai.

Sputnik i hedh poshtë këto komente, duke i cilësuar si pakënaqësi të një punonjësi të pushuar nga puna.

Sputnik u ofron një platformë zërave të pakicave në Shtetet e Bashkuara por mohon se disa opinione që boton në faqen e internetit që përcjellin teori konspiracioni, përfaqësojnë linjën e tij.

“Ne botojmë një sqarim ku thuhet se mendimet e kontribuesve jo gjithmonë përputhen me linjën editoriale të Sputnikut. Ata janë të lirë të shkruajnë ç’të duan”, thotë zoti Gavasheli.

Ndërsa emisionet e Sputnikut janë kritike ndaj politikave dhe shoqërisë së Shteteve të Bashkuara, drejtuesit e programeve, si Garland Nixon, i hedhin poshtë akuzat në rritje lidhur me Rusinë, në Uashington.

“Akuzat, ngado dhe nga cilido që të vijnë nuk më shqetësojnë. Po të ketë prova, ne o studiojmë ato dhe i vlerësojmë. Por unë nuk i blej këto akuza, aq më pak po të kesh parasysh se nga vijnë”, thotë Garland Nixon, drejtues i programit “Fault Lines” në radion “Sputnik”.

Ata gjithashtu i kundërshtojnë kritikët që thonë se po kontribuojnë në një fushatë të Kremlinit kundër perëndimit.

“Nëse njerëzit duan të kritikojnë Rusinë, le ta bëjnë. Nuk më bezdis aspak. Unë për vete, nuk di si ta them ndryshe, por për mua, Rusia nuk është shqetësimi më i madh”, thotë Lee Stranahan, drejtuesi tjetër i programit “Fault Lines”.

Sputnik thotë se njerëzit duhet të lexojnë, dëgjojnë dhe gjykojnë vetë nëse bëhet fjalë për “lajme alternative” apo propaganda të Kremlinit.

SHBA: Gjykata vendos kundër urdhrit të ndalimit të Trumpit për personat që kanë familjarë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump gjatë nënshkrimit të urdhrit për ndalimit, Pentagon

 

Në gjykatë në SHBA ka marrë vendim kundër ndalimit të administratës së presidentit, Donald Trump, për refugjatët nga gjashtë vende me shumicë myslimane, të cilët kanë familjarë në SHBA.

Gjykatësi Derrick Watson në Honolulu, ka thënë se personat që kanë gjyshërit, axhallarët, hallat dhe familjarë të tjerë që janë të ndaluar nga vendimi i administratës, duhet t’u lejohet hyrja në SHBA.

Watson ishtë pyetur nga shtetit i Havait për të interpretuar vendimin e Gjykatës Supreme, ku thuhet se ndalimi 90 ditorë vlen për refugjatët dhe qytetarët nga Irani, Siria, Somalia, Libia, Jemeni dhe Sudani, përveç rasteve kur ata kanë familjarë apo marrëdhënie të mira me kompani amerikane.

Vendimi i administratës së presidentit Trump i interpretuar nga Gjykata Supreme deklaron se bashkëshortët, prindërit, fëmijët, të fejuarit dhe motrat apo vëllezërit mund të hyjnë në SHBA.

Mirëpo gjyshërit apo lidhje të tjera, nuk konsiderohen familje e ngushtë, andaj për këta persona me lidhje të tilla vlen urdhri i ndalimit.

Gjykata në Honolulu ka thënë se do të punojë në kërkesën e Havait për të vënë në fuqi urdhrin i cili lejon edhe kategoritë e ndaluara që të udhtojnë drejt SHBA-së.

Watson e ka cilësuar interpretimin e vendimit të administratës së Trumpit si “shumë të kufizuar”, për atë se çka konsiderohet familje e ngushtë.

Presidenti Trump fillon vizitën në Francë

 

Presidenti amerikan Donald Trump ka shkuar për një vizitë në Francë, ku do të marrë pjesë në festimet me rastin e Ditës së Bastijës. Gjatë ceremonive të rastit, trupat amerikane do të marshojnë së bashku me ato franceze në bulevardin e famshëm Champs Élysées. Sot, një ditë para festimeve, presidenti amerikan po takohet me homologun francez Emmanuel Macron, në përpjekje për të gjetur një gjuhë të përbashkët për çështje si Siria dhe lufta kundër terrorizmit.

Ishte një shtrëngim duarsh në takimin e tyre në muajin maj, që u përhap me shpejtësi virale në mediat sociale – një udhëheqës i ri francez, i cili jepte mesazhin se Franca do t’i rezistonte Presidentit Trump dhe politikës së tij “Amerika e Para”.

Analistët thanë paraprakisht se takimi i tyre i dytë, do të ishte në pjesën më të madhe të kohës, i sjellshëm.

“Takimi i tyre ka për të qenë edhe i vështirë, ngaqë francezët jo vetëm që kanë zgjedhur një presisdent, i cili është thuajse antiteza e zotit Trump, por ekziston edhe një lloj armiqësie tek francezët për faktin se administrata Trump tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.”– thotë analisti.

Franca punoi shumë për organizimin e takimit të vitit 2015 për ndryshimet klimatike dhe e konsideron marrëveshjen si një arritje të madhe.

“Fakti që Presidenti i ri amerikan u tërhoq nga marrëveshja, ka për të qenë një çështje delikate dhe objekt tensioni në diskutime, pavarësisht se ata kanë për t’u përpjekur ta fshehin atë në sytë e publikut; është më se sigurtë që në diskutimet private udhëheqësit francezë kanë për të bërë gjithshka të mundur për të gjetur një lloj zgjidhjeje për këtë çështje.”– thotë analisti.

Një tjetër çështje delikate është marrëdhënia e zotit Trump me Presidentin rus Vladimir Putin, që u shfaq në takimin e tyre maratonë të premten, në punimet e G-20-ës. Franca, sikurse edhe pjesa tjetër e Europës Perëndimore, e ndoqi atë me nervozizëm.

“Nuk ka asgjë substanciale për t’u shqetësuar për këtë, por vetë procesi, gjuha e përdorur, mënyra se si ai është aq i gatshëm të përdorë një gjuhë të ashpër ndaj aleatëve dhe hezitimi për të përdorur të njëjtën gjuhë ndaj Rusisë, i bën njerëzit të mendojnë, nëse do të ketë në muajt e ardhshëm një nismë amerikane për Sirinë, Rusinë, apo Ukrainën; ose nëse është rënë dakord me Kremlinin para se të diskutohet me Parisin, Berlinin apo edhe me Londrën…”– thotë analisti britanik Malcolm Chalmers.

Ky është udhëtimi i tretë përtej Oqeanit dhe në Evropë i zotit Trump, që kur ai filloi mandatin e Presidentit në janar të këtij viti.

Gjatë vizitës së tij, Presidenti Trump do të marrë pjesë në festimet për Ditën e Bastijës. Bisedimet me presidentin francez pritet të fokusohen tek Siria dhe lufta kundër terrorizmit – dy fusha ku është lehtë të arrihen marrëveshje. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se në tryezën e bisedimeve mund të shtrohet edhe çështja e vështirë e klimës.

Pasojat pas nxjerrjes së emaileve të Trump Junior

Presidenti Donald Trump i doli dje në mbrojtje përpjekjes së tij për të zbutur marrëdhëniet me Rusinë në një intervistë me rrjetin e transmetimeve “Christian Broadcasting Network”. Presidenti i doli gjithashtu në mbrojtje të birit, Donald Junior, një ditë pasi u publikuan emaile që tronditën administratën aktuale. Nga këto emaile mësohej për një takim vjet mes zyrtarëve të fushatës Trump dhe një juristeje ruse, e cila kishte ofruar informata që mund të dëmtonin rivalen e zotit Trump në zgjedhje, Hillary Clinton.

Në një intervistë me rrjetin Christian Broadcasting Network, Presidenti Trump tha se ai shkon shumë mirë me Presidentin rus Vladimir Putin.

“Mendoj se është e rëndësishme të zhvillojmë dialog; nëse nuk bëjmë dialog dalin probleme të mëdha për vendin tonë dhe për vendin e tyre. Mendoj se na duhet dialogu,” tha zoti Trump.

Presidenti përdori edhe Twitterin për t’i dalë në mbrojtje të birit, Donald Junior, pasi u nxorën emaile ku kishte hollësi mbi një takim vitin e kaluar mes një juristeje ruse që kishte ofruar të jepte informata që do të dëmtonin Hillary Clintonin.

Përsëri zoti Trump e cilësoi procesin hetimor mbi rolin e Rusisë si “gjueti shtrigash”. Por zyrtari i propozuar nga zoti Trump për të kryesuar FBI-në, Christopher Wray nuk ishte dakord me këtë cilësim gjatë seancës për konfirmimin e tij:

“Besnikëria ime i takon Kushtetutës, shtetit ligjor dhe misionit të FBI-së. Askush nuk më ka kërkuar t’i betohem për besnikëri gjatë këtij procesi dhe nuk diskutohet që nuk do ta bëja,” tha zoti Fray.

Informacioni i dalë nga emailet e Donald Trump Junior-it e ka detyruar Shtëpinë e Bardhë të hidhet në mbrojtje dhe është pasuar me shqetësime të ngritura nga demokratët:

“Asgjë nuk është vërtetuar ende, por tani kemi të bëjmë me më tepër se pengim të procesit të drejtësisë. Këtu flitet për dëshmi të rreme, ndoshta edhe tradhti,” tha Senatori demokrat Tim Kaine.

Edhe disa republikanë shprehën shqetësim, përfshirë kreun e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan.

“Kam mbështetur emërimin e Robert Muellerit si prokuror i posaçëm dhe mendoj se duhet t’i japim mundësi atij dhe ekipit të tij, të bëjnë punën”.

Tronditja e shkaktuar në Uashington pas nxjerrjes së emaileve e ka detyruar Shtëpinë e Bardhë të hidhet në mbrojtje lidhur me kontaktet me Rusinë, thotë analisti Kyle Kondik:

“Kjo rrymë e pandërprerë artikujsh negativë lidhur me Rusinë është së paku një shpërqëndrim për Shtëpinë e Bardhë; por mbetet për t’u parë nëse paraqet edhe një kërcënim ligjor për administratën e zotit Trump dhe ekipin e tij”.

Analisti John Fortier tha për Zërin e Amerikës se shqetësimi i publikut për hetimet mbi Rusinë e ka dëmtuar dukshëm nivelin e popullaritetit të presidentit:

“Kur ai shkarkoi nga detyra Jim Comey-in, ra në anketa. Aktualisht ka aprovimin e rreth 40% të publikut. Këto çështje nuk ka të ngjarë të zhduken nga skena dhe nuk e ndihmojnë presidentin”.

Vëmendja që po i kushtohet administratës Trump dhe kontakteve me Rusinë ka ndërlikuar edhe përpjekjet e republikanëve për të shfuqizuar e zëvendësuar ligjin për kujdesin shëndetësor.

Takimi “problematik” me avokaten ruse

Donald Trump Jr., djali i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se nuk i ka treguar babait të tij për takimin me avokaten ruse, e cila ka pretenduar se ka informacione që mund të ndihmojnë fushatën e presidentit të tanishëm.

Në një intervistë për Fox News, Trump Jr. tha se takimi ka qenë “thjesht asgjë”, porse “ka mundur ta trajtojë ndryshe”.

“Ka qenë thjesht asgjë; nuk ka pasur çfarë t’i thuhet babait tim. Ka qenë humbje e 20 minutave”, tha Trump Jr.

Ai publikoi disa emaile që tregojnë se ka mirëpritur një ofertë për të takuar Natalya Veselnitskayan, për të cilën i është thënë se është avokate e Qeverisë ruse dhe posedon material dëmtues për ish-kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton.

Por, Trump Jr. insistoi se nuk ka bërë përpjekje të koordinohet me rusët për të ndikuar zgjedhjet.

“Në retrospektivë, ndoshta do t’i bëja gjërat pak më ndryshe. Por, kjo ka ndodhur përpara manisë ruse”, tha Trump Jr. për Fox News.

Vetë Veselnitskaya u tha gazetarëve në Moskë se ajo nuk është e inetresuar për politikën dhe se takimi me Trump Jr. ka qenë privat.

“Nuk përfaqësoj interesat e askujt tjetër përveç vetes, në këtë situatë”, tha Veselnitskaya.

Natalya Veselnitskaya

Natalya Veselnitskaya

Disa anëtarë të Kongresit thanë se takimi me Veselnitskayan mund të llogaritet si “bashkëpunim me Rusinë”.

Senatori demokrat, Ron Wyden, tha se emailet tregojnë se djali i Trumpit “ka bërë përpjekje të bashkëpunojë me një pushtet të huaj armiqësor, për të shkatërruar demokracinë e Amerikës”.

Ngjarjen e vlerësoi si shqetësuese edhe senatori republikan, James Lankford.

“Të takohesh me një qeveri të huaj është krejt ndryshe nga takimi me një individ. Më duhet t’i zbuloj të gjitha faktet në lidhje me këtë, por natyrisht se është një shqetësim”, tha Lankford.

Presidenti Trump i cilësoi këto akuza si “qesharake” dhe “të tepruara”.

Në një postim në Twitter, Trump tha se djali i tij është një person i shkëlqyeshëm, i cili e do vendin e tij.

Takimi me Veselnitskayan dhe emailet shtojnë provat për, siç thuhet, përpjekjen aktive të Rusisë për t’u përzier në zgjedhjet në SHBA.

Në muajin janar, komuniteti i inteligjencës amerikane ka lëshuar një raport, i cili ka akuzuar Moskën për përpjekje propaganduese dhe kibernetike, me qëllim ndërhyrjen në zgjedhje.

Që atëherë, disa komisione të Kongresit amerikan kanë hapur hetime për ndërhyrjen ruse.

FBI, ndërkaq, ka hapur hetime qysh në korrik të vitit 2016, për të parë nëse bashkëpunëtorët e Trumpit kanë pasur ndërveprime të papërshtatshme me zyrtarët rusë.

Por, njeriu që i ka mbikëqyrur këto hetime, James Comey, është shkarkuar nga Trump në muajin maj.

Departamenti i Drejtësisë ka emëruar pastaj një këshilltar të posaçëm për t’i mbikëqyrur hetimet.

Përgatiti: Valona Tela

Padi ndaj Trumpit për bllokimin e ndjekësve në Twitter

Padia është hapur nga Instituti Kushtetues Kalorës, i cili avokon lirinë e shprehjes në Universitetin Columbia, dhe shtatë persona të tjerë

ANKARA – Shtatë ndjekës të presidentit amerikan Donald Trump në rrjetin social Twitter kanë hapur padi ndaj tij për bllokim në këtë platformë sociale.

Sipas lajmeve në BBC dhe CNN, bëhet e ditur se padia është hapur nga Instituti Kushtetues Kalorës, i cili avokon lirinë e shprehjes në Universitetin Columbia, dhe shtatë persona të tjerë.

Në padi thuhet se bllokimi nga Trump apo ndihmësit e tij i shtatë ndjekësve të cilët janë kundërpërgjigjur ose kanë shkruar komente kritikuese ndaj tweetave të presidentit Trump është në kundërshtim me nenin e kushtetutës që ka të bëjë me lirinë e shprehjes.

Emri i zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer dhe drejtuesit të medias sociale Daniel Scavino janë ndihmësit e Trumpit që janë akuzuar për bllokimin e ndjekësve të tij në Twitter.

Ndryshe, llogaria e Donald Trump në Twitter ka 33,7 milionë ndjekës. AA

SHBA: Kryhet me sukses testimi i sistemit kundër raketave balistike

SHBA, Pamje të testimit të sistemit kundër raketave balistike THAAD

 

Agjencia e mbrojtjes raketore në SHBA, ka thënë se ka kryer me sukses testimin e sistemit raketor THAAD, nga Alaska.

THAAD është pjesë e sistemit kombëtar të mbrojtjes ndaj raketave balistike.

Objektivi në formën e një rakete balistike me rreze të mesme u lansua mbi Oqeanin Paqësor në veri të Havait.

Agjencia njoftoi se sistemi i mbrojtjes kundër raketave balistike THAAD, nga Alaska, ka zbuluar dhe ndaluar objektivin.

Obejktivi ishte i ngjashëm me raketat e testuara së fundimi nga Koreja e Veriut.

Ky testim është bërë pasi Koreja e Veriut ka deklaruar se më 4 korrik ka bërë testimin e një rakete balistike interkontinentale.

Testimi i raketës ngriti shqetësimet për kërcënimin që vjen nga Penjani.

Sistemi THAAD është i dizajnuar për ndalimin e raketave balistike brenda dhe jashtë atmosferës në fazën e tyre të fundit të fluturimit.

Emailet tregojnë se djali i presidentit Trump priste informacion dëmtues për Hillary Clintonin

Djali i madh i presidentit Donald Trump publikoi të martën një shkëmbim e-mailesh, nga të cilët del se ai kishte biseduar rreth planeve për të dëgjuar informacione që dëmtonin kandidaten demokrate Hillary Clinton gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.

Në e-maile, dhënia e këtyre informacioneve përshkruhet si pjesë e mbështetjes së “Rusisë dhe të qeverisë së saj për zotin Trump” dhe sipas njoftimeve informacioni ishte sensitiv.

Këto e-maile janë prova e parë dokumentare që tregojnë se një bashkëpunëtor i lartë i zotit Trump ishte angazhuar me vetëdije me atë që besohej se ishte një përpjekje e qeverisë ruse për të ndihmuar kandidatin Trump në zgjedhje.

New York Times tha se Donald Trump Jr i publikoi emailet në Twitter, pasi gazeta e njoftoi se do t’i botonte ato.

Sipas njoftimit, një nga partnerët e biznesit të Presidentit Trump ishte kontaktuar nga një zyrtar i lartë i qeverisë ruse dhe po ofronte t’i jepte fushatës së zotit Trump informacion komprometues për zonjën Clinton.

Sipas gazetës “The New York Times”, ai ishte përgjigjur brenda pak minutash “Nëse është ashtu siç thoni ju, më pëlqen shumë, sidomos nga fundi i verës”.

Donald Trump Jr nuk kishte dhënë shenja se origjina e informacionit, ose nga fakti që kjo ishte pjesë e përpjekjes ruse për të ndihmuar fushatën e të atit, e kishte shqetësuar

Në njërin nga emailet dërguar djalit të zotit Trump, Don Trump Jr., një publicist me emrin Rob Goldstone përpiqet të rregullojë një takim me një avokate, të cilën ai e përshkruan si “avokate të qeverisë ruse”.

Zoti Trump Jr. ishte mjaft i angazhuar në fushatën presidenciale të babait të tij.

Ai i publikoi e-mailet të martën në Twitter dhe lëshoi një deklaratë, ku thoshte se po e bënte këtë për të qenë “tërësisht transparent”.

Disa orë pasi i biri bëri publike emailet, Presidenti Trump nxorri një deklaratë ku shprehej se “im bir është një person me cilësi të larta dhe unë e përshëndes transparencën e tij”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders, iu shmang pyetjeve për emailet, duke i drejtuar gazetarët tek avokati i Donald Trump Jr.

E-mailet me publicistin Rob Goldstone tregojnë se zotit Trump Jr. i ishte thënë se qeveria ruse kishte informacione që mund të “inkriminonin” zonjën Clinton dhe marrëdhëniet e saj me Rusinë.

Goldstone i shkruante zotit Trump Jr. se informacioni që do të merrte “do të ishte shumë i dobishëm” për të atin e tij, kandidatin Trump. Goldstone po punonte për ta lidhur zotin Trump Jr. me avokatin rus Natalia Veselnitskaya, e cila më vonë u takua me zotin Trump Jr. në Nju Jork, në Kullën Trump. Veselnitskaya mohon se ka punuar ndonjëherë për qeverinë ruse.

“Nëse kjo është e vërtetë, e dua këtë informacion, sidomos më vonë gjatë verës,” iu përgjigj publicistit Goldstone zoti Trump Jr. në një nga emailet, që zoti Trump postoi të martën në Twitter. Mesazhet datojnë në fillim të qershorit 2016.

Të shtunën, Trump Jr e përshkroi takimin me avokaten si një “takim të shkurtër fillestar”, i përqendruar te birësimet amerikane të fëmijëve rusë.

Një ditë më vonë, Trump Jr e ndryshoi versionin e tij, duke pranuar se i ishte thënë paraprakisht se Veselnitskaja mund të kishte informacion “të dobishëm” për fushatën Trump dhe gjatë takimit iu tha se ajo kishte diçka për kandidaten Clinton.

Rrëzohet avioni ushtarak amerikan – 16 të vrarë

Një avion ushtarak amerikan është rrëzuar në shtetin jugor të Mississippit, duke lënë pas vetes të paktën 16 të vrarë.

Zyrtarët nuk dhanë hollësi se prej nga ishte nisur dhe ku po shkonte avioni i cili u rrëzua në një fushë rreth 150 kilometra në veri të kryeqytetit të Mississippit, Jackson. Shkaku i rrëzimit po ashtu nuk ishte i qartë.

Zëdhënësja e Korpusit të Marinës, kapitenja Sarah Burns, tha vetëm se avioni KC-130 “pësoi një aksident”.

Drejtori i emergjencave në kontenë Leflore, Frank Randle, u tha gazetarëve se 16 trupa janë gjetur në vendin e rrëzimit.

Marcus Banks, shefi i zjarrfikësve në qytetin Greenwood, tha se mbetjet e avionit janë shpërndarë në një rreze prej tetë kilometrash.

Pentagoni: Nuk mund të konfirmojmë njoftimet për vdekjen e kreut të IS-it

Zyrtarët e Pentagonit thonë se ata nuk kanë informacion që mund të konfirmojë njoftimet se udhëheqësi i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Bagdadi ka vdekur.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Britani njoftoi të martën se ka informacion që konfirmon vdekjen e udhëheqësit të Shtetit Islamik.

“Sot mësuam lajmin por nuk e dime se kur apo si ka vdekur ai”, i tha AFP-së drejtori i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, Rami Abdel Rahman.

Siguria kibernetike, Trumpi zmbrapset nga ideja e bashkëpunimit me Rusinë

Presidenti amerikan, Donald Trump (djathtas) dhe ai rus, Vladimir Putin, gjatë takimit në Hamburg, më 7 korrik.

 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u zmbraps nga propozimi i tij për të punuar me presidentin rus, Vladimir Putin, në krijimin e një njësie të sigurisë kibernetike, e cila do t’i parandalonte sulmet e hakerëve dhe ndërhyrjet në zgjedhje.

“Fakti se presidenti Putin dhe unë kemi diskutuar për njësinë e sigurisë kibernetike, nuk do të thotë se ajo do të ndodhë. Nuk mund të ndodhë, por armëpushimi mund dhe ka ndodhur”, shkroi Trump në Twitter, duke iu referuar armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Rusia për pjesën jugore të Sirisë.

Trump, i cili ka takuar Putinin më 7 korrik, në margjina të samitit të G20-ës në Hamburg, tha më herët në Twitter se ai dhe Putini kanë diskutuar për një njësi të sigurisë kibernetike, e cila do të parandalonte ndërhyrjet në zgjedhje.

Lindsey Graham, republikan nga Karolina e Jugut, kritik i shpeshtë i presidentit, tha se propozimi fillestar i Trumpit, për të punuar me Rusinë për sigurinë kibernetike, “nuk është ideja më e marrë që ka dëgjuar, por diçka shumë afër saj”.

Agjencitë e zbulimit në SHBA kanë konstatuar se Rusia, me gjasë nën urdhrat e Putinit, ka ndërhyrë në fushatën e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, më 2016, për t’i forcuar shanset e Trumpit përballë rivales së tij demokrate, Hillary Clinton.

Putin i ka hedhur poshtë akuzat.

Tillersoni lavdëron popullin turk që u ngrit kundër grushtshtetit

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, lavdëroi, siç tha ai, kurajën e popullit turk “për të mbrojtur demokracinë”, duke u ngritur kundër komplotuesve të grushtshtetit, vitin e kaluar.

Tillerson, duke folur të dielën në Stamboll, nuk i përmendi ndjekjet dhe arrestimet masive që kanë pasur puçin e dështuar, më 15 korrik, 2016.

“Jemi në Stamboll në një kohë të rëndësishme. Gati një vit më parë, populli turk, burra dhe gra të guximshëm, u ngritën kundër komplotuesve të puçit dhe mbrojtën demokracinë e tyre”, tha Tillerson në hapje të një konference për naftën në Stamboll.

Puçi ka dështuar pasi mijëra njerëz kanë dalë në rrugë pas thirrjes së presidentit Recep Tayyip Erdogan për t’iu rezistuar komplotuesve.

Që atëherë, mbi 100,000 njerëz janë pushuar nga puna në shërbimin civil, polici, ushtri dhe sektorin privat. Rreth 40,000 të tjerë janë arrestuar.

Autoritetet turke kanë fajësuar klreikun fetar, Fethullah Gulen, për orkestrimin e përpjekjes për grushtshtet. Gulen e ka mohuar përfshirjen.

Derisa Tillerson ka folur, qindra mijëra njerëz kanë marrë pjesë në një protestë të opozitës në rrugët e Stambollit.

Djali i Trumpit ka pasur kontakte me rusët

Foto arkivi

 

Mediat amerikane raportojnë se djali i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është takuar me një avokate të lidhur me Kremlinin, vitin e kaluar, pasi i janë premtuar informacione që do të dëmtonin rivalen demokrate të Trumpit, Hillary Clinton.

Në takim kanë qenë të pranishëm edhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner, dhe udhëheqësi i atëhershëm i fushatës, Paul J Manafort, raportojnë New York Times dhe Washington Post.

Donald Trump Jr, përmes një deklarate, pranoi se ka takuar Natalia Veselnitskayan, por tha se “nuk janë shkëmbyer informacione të rëndësishme”.

“Zonja ka thënë se ka informacione se individë të lidhur me Rusinë janë duke financuar Komitetin Kombëtar Demokrat dhe duke mbështetur Clintonin”.

“Deklaratat e saj ishtin ta paqarta dhe pa kuptim. Nuk është dhënë asnjë detaj apo informacion mbështetës. Shumë shpejt është bërë e qartë që ajo nuk ka pasur informacione kuptimplota”, tha Trump Jr, citon NewYork Times.

Trump Jr tha se Veselnitskaya, më pas, e ka kaluar bisedën te birësimi i fëmijëve rusë dhe Akti Magnistky – një ligj amerikan që sanksionon rusët e dyshuar për abuzim me të drejtat e njeriut. I zemëruar me këtë ligj, presidenti rus, Vladimir Putin, e ka pezulluar birësimin e fëmijëve rusë nga shtetasit amerikanë.

“Më është bërë e qartë se kjo ka qenë agjenda e vërtetë dhe se pretendimet për informacionet potencialisht të dobishme kanë qenë pretekst për takimin”, tha Trump Jr.

Veselnitskaya, në mesin e klientëve të saj, ka kompani shtetërore ruse dhe familjarë të zyrtarëve të lartë qeveritarë, ndërsa bashkëshorti i saj më herët ka shërbyer si zëvendësministër i Transportit për rajonin e Moskës. Si avokate, ajo ka bërë fushatë kundër Aktit Magnistky.

Mark Corallo, zëdhënës i ekipit ligjor të presidentit Trump, tha se ky i fundit, atëbotë, “nuk ka qenë në dijeni dhe nuk ka marrë pjesë në takimin e vitit 2016 midis djalit të tij dhe avokates”.

Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë konstatuar se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016. Së paku dy komitete të Kongresit amerikan dhe FBI janë duke i hetuar akuzat, përfshirë raportet për kontakte midis pjesëtarëve të ekipit të Trumpit dhe zyrtarëve rusë.

Presidenti Trump i ka mohuar të gjitha akuzat për bashkëpunim, ndërsa Kremlini ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhje.

Sidoqoftë, këshilltari i parë i Trumpit për siguri kombëtare, Michael Flynn, është shkarkuar pasi ai ka keqinformuar zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë për kontaktet e tij me zyrtarët rusë. Prokurori i përgjithshëm i Trumpit, Jeff Sessions, është po ashtu nën hetime për arsye të ngjashme.

Përgatiti: Valona Tela

SHBA: Miliona dollarë ndihma për katër shtete

Shtetet e Bashkuara kanë shpallur një ndihmë prej 630 milionë dollarësh për Jemenin, Somalinë, Sudanin Jugor dhe Nigerinë.

Kjo shpallje u dje derisa presidenti amerikan, Donald Trump, mori pjesë në samitin G20 në Hamburg të Gjeermanisë.

Derisa Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh botëror humanitar, propozimi i zotit Trump për shkurtimin e ndihmës së jashtme për më tepër se 30%, ka shkaktuar shqetësim të gjërë.

Ndihma totale humanitare amerikane për këto katër vende, ku Kombet e Bashkuaa vlerësojnë se më tepër se 30 milionë njerëzve urgjentisht u duhet ushqimi, tash është më tepër se 1.8 miliardë dollarë këtë vit fiskal, ka njoftuar Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Dhjetëra milionë njerëz në Jemen, Somali, Sudanin Jugor dhe Nigeri, ballafaqohen me uri për shkak të konflikteve të atjeshme.

SHBA: Testohet mbrojtja raketore në Alaskë për shkak të kërcënimit verikorean

Pamje nga lansimi i një rakete të sistemit antibalistik THAAD

 

Agjencia e mbrojtjes raketore e Shteteve të Bashkuara ka njoftuar mbrëmë se brenda disa ditësh do ta testojë sistemin e sofistikuar antibalistik raketor, pasi Koreja Veriore, këtë javë, e ka lansuar një raketë, që duket se mund të jetë e aftë ta sulmoj Alaskën.

Sistemi amerikan, THAAD, që do të testohet, është i paraparë që t’i interceptojë dhe shkatërrojë raketat balistike me rreze të shkurtër, të mesme dhe të avancuara të veprimit.

Ky test do të zhvillohet “në fillim të korrikut” në një kompleks të ishullit Kodiak në Akaskë, ka thënë kjo agjenci amerikane.

Presidenti Trump në G-20 – pasdite takon presidentin rus

Presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi në twitter të premten se po pret të takojë presidentin rus, Vladimir Putin në takimin e G20-ës në Hamburg.

Ky do të jetë takimi i parë kokë më kokë i dy presidentëve në margjinat e G20-ës. Takimi i tyre pritet të orët e pasdites.

Takimi i shumëpritur do të ndiqet nga afër, por jo për shkak se ai pritet të sjell përparim. Ndërsa të dy udhëheqësit kanë shprehur dëshirën për të përmirësuar marrëdhëniet e dëmtuara nga ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë, nuk pritet një lehtësim i asaj, që disa analistë e quajnë një Luftë e re e Ftohtë. Hetimet e vazhdueshme mbi dyshimet për lidhje të fushatës së zotit Trump me Rusinë dhe sulmet kibernetike ruse, që agjencitë amerikane të zbulimit besonin se kishin për qëllim të ndihmonin zotin Trump, kanë hedhur hije mbi takimin.

Kremlini thotë se terrorizmi, Siria dhe Ukraina do të jenë temat kryesore të takimit.

Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Trump do të vendosë se çfarë të diskutojë, duke e quajtur atë një “takim dypalësh normal “. Por Presidenti Trump mund të ngrejë çdo temë në këtë takim, thonë analistët.

“Presidenti ka impulset e tij. Ai mund të vendosë t’i japë takimit një drejtim të papritur. Dhe, ne duhet të jemi të përgatitur për këtë. Në një masë të vogël, ky është stili i tij”, thotë Stephen Sestanovich nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.

Megjithatë, hetimet e vazhdueshme në lidhje me dyshimet për bashkëpunim të fushatës së zotit Trump me Rusinë po hedhin një hije mbi shpresat e administratës se takimi mund të çojë në përmirësimin e marrëdhënieve.

“Çdo gjë që ndodh në takimin mes zotit Trump dhe zotit Putin do të shihet në këtë kontekst. A ishte presidenti Trump shumë miqësor? A po përpiqej zoti Trump të dukej shumë i ashpër ndaj Rusisë në mënyrë që të qetësojë kritikët në vendin e tij? Unë mendoj se këto janë shumë pyetje për të cilat së shpejti do të marrim përgjigje”, thotë Hannah Thoburn nga Instituti Hudson.

Por vetëm një numër i vogël analistësh presin që presidenti Trump të ngrejë çështjen e ndërhyrjes ruse që agjencitë amerikane të zbulimit thonë se kishte për qëllim ta ndihmonte atë të fitonte zgjedhjet.

Në rrugët e Moskës, rusët ende shpresojnë se takimi mes dy udhëheqësve do të çoj në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Kjo situatë nuk mund të zgjasë shumë. Dikush duhet ta kuptojë se nëse nuk bashkëpunojmë, ne nuk do të përparojmë”, thotë Konstantin, një banor i Moskës.

Kritikët theksojnë se çdo hap drejt bashkëpunimit ka shumë të ngjarë të kufizohet në retorikë.

“Ne tani nuk po shohim një agjendë ose qëllime konkrete nga të dy udhëheqësit, dhe as vullnet për të zbatuar këto synime. Putini duket se pret disa hapa nga presidenti Trump, ndërsa presidenti Trump nuk është në gjendje të përballojë problemet e tij brenda Amerikës. Ai nuk di si të formojë një qëndrim të vetin ndaj Putinit. Pra, nuk ka objektiv, vullnet apo përparim”, thotë Andrei Kolesnikov nga Qendra Carnegie e Moskës

Pavarësisht nga rezultati, takimi dypalësh është një fitore për Kremlinin, shton analisti Kolesnikov.

Nëse shkon keq, Rusia do të fajësojë Shtetet e Bashkuara. Nëse shkon mirë, Putini do të thotë se falë angazhimit të tij takimi ishte i suksesshëm.

Trumpi bisedë telefonike me Merkelin dhe Gentilonin

Presidenti amerikan Trump para Samitit G-20 që do të mbahet më 7-8 korrik në Gjermani ka zhvilluar ndaras bisedë telefonike me kancelaren gjermane Merkel dhe kryeministrin italian Gentiloni

UASHINGTON – Presidenti amerikan Donald Trump para Samitit G-20 që do të mbahet më 7-8 korrik në Gjermani ka zhvilluar ndaras bisedë telefonike me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe kryeministrin italian Paolo Gentiloni ku dhe kanë vlerësuar Samitin.

Shtëpia e Bardhë ka bërë një deklaratë me shkrim në lidhje me bisedën telefonike të Trump me kancelaren Merkel dhe kryeministrin italian Gentiloni.

Në deklaratë theksohet se Trump i ka shprehur Merkelit se do t’i ofrojë ndihmë që Samiti G-20 të kalojë me sukses ku dhe vihet në dukje se dy liderët kanë shkëmbyer pikëpamjet në çështje si ndryshimet klimaterike, marrëdhëniet tregtare dhe iniciativa e grave.

Ndër të tjera në deklaratën ku është njoftuar se në bisedën e Trump me Gentiloni, janë shtruar në rendin e ditës çështjet në lidhje me Samitin G-20 thuhet se Trump ka përgëzuar kryeministrin italian për përjekjet e bëra për gjetjen e zgjidhjes “ndaj krizës me emigrantët e Libisë”.

Trump i cili do të marrë pjesë në Samitin G-20 në Hamburg të Gjermanisë pritet që të zhvillojë takime me shumë liderë të shteteve dhe qeverive. aa

Destrojeri amerikan lundron pranë një ishulli të pretenduar nga Kina

Një destrojer i marinës amerikane lundroi në një distancë prej më pak se 12 miljesh pranë një ishulli të vogël në Detin e Kinës Jugore, territor për të cilin kanë pretendime tri vende aziatike. Sovraniteti mbi Ishullin Triton pretendohet nga Kina, Tajvani dhe Vietnami.

Kina nisi dje anije dhe avionë ushtarakë drejt zonës në fjalë dhe e akuzoi destrojerin amerikan “USS Stethem” për shkelje të ujërave territoriale.

Një zyrtar i qeverisë së Shteteve të Bashkuara tha se destrojeri Stethem po kryente një stërvitje “për të drejtën e kalimit të lirë”, që kishte si qëllim demonstrimin e lirisë së lundrimit në këto ujëra.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lu Kang, deklaroi se kjo lëvizje amerikane përbën “një provokim serioz politik dhe ushtarak” dhe se operacione të tilla “shkelin sovranitetin dhe kërcënojnë sigurinë e Kinës”.

Autoritetet thonë se lundrimi i destrojerit në një rreze prej më pak se 12 miljesh detare nga ishulli në fjalë synoi të japë sinjalin se SHBA-ja nuk i njeh pretendimet territoriale për këtë ishull.

Kongresi ia merr Trumpit kompetencat për sigurinë kombëtare

Në mënyra të ndryshme, herë pak e herë shumë, Kongresi po i merr fuqi presidentit Donald Trump për sa i takon çështjeve të sigurisë kombëtare.

Nga Rusia e deri tek buxheti për Pentagonin, republikanët në Kongres po propozojnë masa të reja për të reduktuar fuqinë e Shtëpisë së Bardhë dhe në disa raste të injorojnë plotësisht dëshirat e administratës për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme.

Të ndërgjegjshëm për komentet dashamirëse të Trump ndaj Rusisë, senatorët miratuan një paketë të re sanksionesh ndaj Moskës që i jep Kongresit aftësinë të rishikojë çdo përpjeke të administratës për të anuluar sanksionet ndaj Kremlinit.

Disa komitete të Kongresit miratuan tre ligje për mbrojtjen këtë javë, duke rritur shpenzimet e pentagonit me rreth 30 miliard dollarë, pasi disa republikanë u ankuan se buxheti i Trump dështonte në rindërtimin e premtuar nga ai të ushtrisë. Dhe në një lëvizje surprizë, një panel i Dhomës së Ulët, miratoi një amendim për të shfuqizuar autorizimin e përdorimit të forcës ushtarake, që i jep SHBA autoritet ligjor për luftërat në Siri, Irak dhe Afganistan, përcjell TCh.

Megjithëse ky ndryshim i fundit zor se do të bëhet ligjet, ashtu si masat e tjera dërgon sinjale të qartë te Shtëpia e Bardhë. Analistët thonë se republikanët në Kongres po kuptojnë se Shtëpia nuk ka lidershipin adult që ata duan, prandaj Kongresi po merr një rol shumë më agresiv për sigurinë kombëtare për herë të parë pas vitesh.

Prej kohësh, një kor i vogël në Kongres ankohej se Legjislativi i kishte dorëzuar shumë fuqi Ekzekutivit, dhe megjithëse masat e reja nga disa konsiderohen të pamjaftueshme, të paktën shumica pranon se po dërgojnë sinjalet e qarta për kthimin e Kongresit në çështjet e sigurisë kombëtare.

Trumpi e ripërtriu Këshillin Kombëtar të Gjithësisë

Presidenti amerikan, Donald Trump, mbrëmë e ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv me të cilin ripërtrihet Këshilli Kombëtar për Gjithësi, që ishte kërkuar nga ish-astronautët dhe ekzekutivët e agjencisë NASA.

“Sot, ne po ndërmarrim hap madhor për sigurimin e të ardhmes amerikane në gjithësi”, ka thënë presidenti Trump, duke theksuar se ky këshill ishte joaktiv për gati 25 vjet.

Ky zhvillim “dërgon sinjal të qartë për botën se ne po e ripërtrijmë trashëgiminë krenare të Amerikës për udhëheqje në gjithësi”, ka thënë Trump.

Detyrë e këtij organi është që ta këshillojë presidentin dhe të ndihmojë në harmonizimin e të gjitha aspekteve të programit kombëtar të gjithësisë, përfshirë sigurinë kombëtare, tregtinë, marrëdhëniet ndërkombëtare, eksplorimin dhe shkencën.

Kryesues i këtij këshilli do të jetë zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence.

Në mesin e të pranishmëve me rastin e nënshkrimit të urdhrit ekzekutiv në Shtëpinë e Bardhë ishte edhe astronauti, Buzz Aldrin, 87 vjeçar, personi i dytë që ka ecur në Hënë.

Hutchison nominohet përfaqësuese e SHBA-ve në NATO

Shtëpia e Bardhë mbrëmë e ka nominuar ish-senatoren nga Teksasi, Kay Bailey Hutchison, që të jetë përfaqësuese e përhershme e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e NATO-s.

Zonja Hutchison, 73 vjeçare, ishte anëtare e Senatit në periudhën 1993 – 2013 dhe ishte e angazhuar në nënkomitetet për mbbrojtje dhe ndërtim ushtarak.

Ajo, po ashtu, ishte avokate dhe gazetare televizive.

Në të kaluarën, përfaqësues të Shteteve të Bashkuara në NATO, që është nivel i ambasadorit, ishin edhe eksperti i njohur për politikë të jashtme, Nicholas Burns, ish-zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Victoria Nuland, ish-sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld, e të tjerë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë fushatës zgjedhore ka pasur qëndrim të ftohtë ndaj aleancës veriatlantike, ndërsa një kohë e pat vlerësuar si “të vjetruar”, por si president ka pranuar se NATO-ja ka vlerë.

Gjatë samitit të NATO-s, muajin e kaluar në Bruksel, zoti Trump i ka kritikuar aleatët se nuk i kanë paguar kontributet për mbrojtje reciproke dhe ka shkaktuar nervozë duke mos e mbështetur qartas parimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s.

Por, pas largimit nga Brukseli, ai deklaaroi se është “absolutisht”i përkushtuar për Artikullin 5 të NATO-s për mbrojtje reciproke.


Send this to a friend