VOAL

VOAL

Presidenti Trump dhe Zonja e Parë në Teksas

Presidenti Donald Trump ka mbërritur në Corpus Christi të Teksasit dhe po informohet për situatën e përmbytjeve që kanë përfshirë pjesë të këtij shteti dhe të Luizianës fqinje.

Presidenti po inspekton nga afër punën e qeverisë për të ndihmuar banorët që përballen me shkatërrimet e mëdha.

Zyrtarët e agjencisë federale të emergjencave thanë se puna për të kapërcyer pasojat e stuhisë do të jetë një përpjekje afatgjatë.

Është hera e parë që zoti Trump vihet në provë nga një fatkeqësi e madhe natyrore në fillimet e administratës së tij.

Ai po takohet me zyrtarë të Teksasit në qendrën e operacioneve të ndihmës në Austin, i shoqëruar nga zonja e Parë, Melania dhe zyrtarë të tjerë.

Kongresmeni i Teksasit Blake Farenthold tha se kushtet në Houston nuk janë ende të përshtatshme që presidenti të shkojë atje, por është me rëndësi që ai të shohë me sytë e tij shkatërrimet.

Një zëdhënëse tha se Presidenti Trump synon të tregohet shumë i kujdesshëm që aktivitetet e tij të mos pengojnë përpjekjet e ndihmave në Teksas.

Qindra udhëheqës fetarë bëjnë thirrje për drejtësi për të gjithë

Ata thonë se Zoti i dëgjon lutjet, dhe marshimi ishte një lutje për drejtësi. Jo të gjunjëzuar, por në marshim, duke kërkuar dhënien fund të racizmit, antisemitizmit dhe diskriminimit. Catherine Lynch është e komunitetit LGBT dhe e fesë hebraike.

“Nuk është vetëm çështje e zezakve, por edhe e hebrenjëve. Është një çështje për të gjithë ne, sepse të gjithë ne kemi një pjesë të asaj që jemi që është vënë në shënjestër nga këto grupe.”

Me fjalën “këto grupe” ajo i referohet një incidenti të dy javëve më parë në Sharlotsvill, Virxhinia. Një grup supremacistësh të bardhë dhe ekstremistë të tjerë mbajtën një tubim dy-ditor, që u shënua me shprehje të urrejtjes. Një supremacist i bardhë ngau makinën mbi një turmë anti-protestuesish, duke vrarë një grua dhe lënduar 19 të tjerë.

Që nga atëherë, shumë thonë se vendi ka bërë një hap prapra në kohë dhe tani është i ndarë në mënyrë të rrezikshme.

E përndershmja JoAnn Hilton mbrojti doktoraturën me temën e drejtësisë sociale në sherbesat fetare. Ajo thotë se u takon udhëheqësve fetarë që ta përhapin dhe predikojnë këtë ide.

“Njerëzit i ka zënë gjumi. Mendojnë se jemi në një shoqëri pas racore, por nuk jemi. Racizmi ka qënë i maskuar, por tani me presidentin e ri, ka dalë në sipërfaqe.”

Aaron Shingler është mësues i shkollës së të dielës.

“ Nuk e di me të vërtetë axhendën e tij, por është një axhendë që nuk nxit drejtësinë.”

Një ndalesë e pa planifikuar gjatë marshimit. Një lutje në “Hotelin Trump International” në Bulevardin Pennsylvania. Shumë kanë marshuar në këtë rrugë gjatë epokës së të drejtave civile në vitet 60-të. Tani ata janë me gjeneratën tjetër. Tiffany Rose është një prej tyre.

“Kur shohim që ndodhin padrejtësi në këtë vend, ne duhet të ngrihemi dhe të na dëgjohet zëri.”

Marshimi përfundoi para Departamentit të Drejtësisë. Nuk pati koment të menjëhershëm nga administrata e Presidentit Trump, por pak pas dhunës në Sharlotsvill, Prokurori i Përgjithëshëm Jeff Sessions tha se ndante pikpamjet e presidentit.

“Racizmi, supremacia a bardhë janë tërërisht të papranueshme.”

Por kjo mund të mos jetë e mjaftueshme për këta marshues.

Shtohen spekulimet rreth një largimi të sekretarit Tillerson

Në Uashington janë shtuar spekulimet se Sekretari i Shtetit Rex Tillerson mund të largohet së shpejti nga administrata, pas komenteve që ai dhe një ndihmës u dhanë gazetarëve gjatë dy ditëve të fundit.

Zoti Tillerson drekoi të hënën me presidentin Donald Trump dhe nënpresidentin Mike Pence. Më vonë gjatë ditës, zoti Pence u takua me ambasadoren e SHBA në Kombet e Bashkuara Nikki Haley. Përkimi i takimeve bëri që vëzhguesit e Shtëpisë së Bardhë të komentonin mbi mundësinë që zonja Haley të marrë postin e zotit Tillerson, nëse ai largohet.

Në një intervistë me “Fox News Sunday”, zoti Tillerson u pyet rreth përgjigjes mjaft të kritikuar të dhënë nga Presidenti Trump për dhunën vdekjeprurëse në Sharlotsville të Virxhinias këtë muaj, pas një tubimi nga supremacistët e bardhë që rezultoi në përplasje me kundërprotestuesit.

Zoti Trump shkaktoi zemërim kur fajësoi fillimisht të dyja palët njëlloj për trazirat. Ligjvënës të Partisë Republikane të zotit Trump dhe shumë komentues e akuzuan presidentin se nuk dënoi në mënyrë të veçantë mbështetësit e racizmit si diçka e papranueshme.

Diplomati më i lartë amerikan u pyet këtë javë nëse komentet e zotit Trump, të cilat u panë si vënie e shenjës së barazimit mes supremacistëve të bardhë dhe demonstruesve të ekstremit të majtë, pasqyronin vlerat amerikane.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson pas intervistës me moderatorin Chris Wallace të programit FOX News Sunday.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson pas intervistës me moderatorin Chris Wallace të programit FOX News Sunday.

Tillerson tha fillimisht: “Nuk besoj se dikush dyshon në vlerat e popullit amerikan, ose në angazhimin e qeverisë amerikane, apo të agjencive të qeverisë për avancimin e këtyre vlerave dhe mbrojtjen e tyre”.

Kur moderatori Chris Wallace e pyti konkretisht rreth vlerave të zotit Trump, sekretari Tillerson u përgjigj: “Presidenti flet vetë për veten e tij,” pa dhënë shpjegime të mëtejshme.

Një ndihmës i zotit Tillerson mohoi të hënën se ky koment përbënte një kritikë ndaj vlerave të zotit Trump, por nuk pranoi ta zbuste komentin.

“Vlerat fillojnë nga Kushtetuta”, tha për televizionin CNN ndihmësi i cili nuk dëshiroi të identifikohej. “Puna e presidentit është t’i mbrojë këto vlera. A bëri ai më të mirën në përgjigje të ngjarjeve në Sharlotsville? Jo. Por kjo nuk do të thotë se Amerika ndryshoi”.

Ndihmësi shtoi, “Kjo është arsyeja pse presidenti flet për veten e tij, sepse është Kushtetuta që flet për vendin”.

Komentet njëri pas tjetrit të bëra nga zoti Tillerson dhe ndihmësi i tij u pritën me habi nga vëzhguesit e Shtëpisë së Bardhë.

Thomas Whalen, profesor i shkencave politike në Universitetin e Bostonit, tha se deklarata që Kushtetuta dhe jo presidenti flet për vendin “tregon përçmim ndaj stilit autoritar të zotit Trump në menaxhimin e presidencës”. Ai i përshkroi fjalët e ndihmësit të zotit Tillerson si “një lamtumirë ndaj zotit Trump”.

Faqja e lajmeve në internet Axios njoftoi të hënën se zhgënjimi i Presidentit Trump me sekretarin Tillerson ishte shfaqur sidomos pas një takimi të fundit rreth Afganistanit.

“Rex Tillerson thjesht nuk e kupton, ai i takon krejtësisht klasës politike tradicionale në mendimin e tij”, tha zoti Trump, sipas një burimi të cituar nga Axios.

Faqja e internetit njoftoi se Tillerson ishte në kundërshtim me Presidentin Trump në disa çështje të politikës së jashtme, duke përfshirë tensionet në Katar dhe sanksionet kundër Venezuelës dhe se zyrtarët e administratës e kishin të vështirë të kuptonin se përse sekretari i shtetit nuk i kishte plotësuar disa pozicione të larta politike në Departamentin e Shtetit.

Ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley.

Ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley.

Zëdhënësi i zotit Tillerson, R.C. Hammond, fajësoi për këtë një sistem “që nuk funksionon”, sipas Axios. Faqja e internetit citonte zotin Hammond të kishte thënë se “Sekretari dërgon rekomandime, por ato mbeten në sirtar.”

Sipas vëzhguesve politikë që biseduan me Zërin e Amerikës, një largim i zotit Tillerson nuk do të bënte tjetër veçse do ta shtonte konfuzionin që ka karakterizuar muajt e parë të administratës.

Cindy Saine kontribuoi për këtë raport.

SHBA – Pas dëbimit të emigrantëve mungon krahu i punës

Një zonë rurale në Pensilvani po përballet me pasojat e ashpërsimit të politikave të administratës Trump ndaj emigracionit të paligjshëm. Bizneset dhe ekonomia kryesisht agrare po përballet me mungesën e punëtorëve. Disa fermerë të drurëve frutorë dhe aktivistë vendas pro-emigracionit janë bashkuar për të lobuar ligjvënësit dhe për të rritur ndërgjegjësimin për kontributin e emigrantëve, në një zonë që votoi në mënyrë masive vitin e kaluar për Presidentin Donald Trump.

Makinat klasike garojnë gjatë një panairi në bashkinë Adams, të Pensilvanisë.

Në këtë periudhë, këtu mblidhen njerëz nga mbarë rajoni.

Shumica thonë se votuan për Donald Trump-in në zgjedhjet e vjetshme.

Kim Sanders, e cila punon në një kompani transporti, mbështet me forcë Presidentin.

“Mendoj se ai po punon mirë, por media nuk i jep imazh pozitiv”, thotë Sanders.

Por, si shumë të tjerë, kur pyetet rreth politikave të Presidentit Trump për emigracionin, zonja Sanders është kundër dëbimit të emigrantëve pa dokumente.

“Nuk ka mjaftueshëm amerikanë që të punojnë në ferma për të mbjellë pemët apo për të mbledhur zarzavate, siç bëjnë emigrantët”, thotë ajo.

Kjo nuk është për t’u habitur në një zonë që varet nga bujqësia. Papunësinë këtu e ka mbajtur të ulët ekonomia e prodhimit të frutave, si dhe turistët që vijnë për të parë fushëbetejën historike në Gettysburg.

Ata që janë të papunë vijnë tek “CareerLink”, agjensia shtetërore që i ndihmon të gjejnë punë.

Por, pak prej tyre thonë se janë të gatshëm të bëjnë punën që bëjnë emigrantët hispanikë.

Ish-saldatori Glenn Hendrickson ndihmon si konsulent karriere.

“Kam shumë miq që kanë punuar gjatë verës duke mbledhur fruta, kur kanë qenë në shkollë të mesme, por nuk mendoj se duan ta ushtrojnë këtë si profesion”, thotë zoti Hendrickson.

Megjithatë, punëdhënësit e kanë tani të vështirë të plotësojnë vendet e punës të mbetura nga largimi i emigrantëve.

Administratori i “CareerLink”, Alan Dudley, thotë se kjo po ndodh në një periudhë

“Tani është sezoni i punësimit masiv. P.sh., firma ‘Knouse Foods’ shpalli tetë vende të reja pune këtë javë nëpërmjet nesh. Tani është e vështirë të gjejnë punëtorë”, thotë zoti Dudley.

Ndërsa ka filluar mbledhja e pjeshkëve, fermerët janë të shqetësuar se nuk do të kenë mjaftueshëm punëtorë për sezonin e mbledhjes së mollëve që pason.

Fermerja Kay Hollabaugh është e zemëruar me Kongresin që nuk e realizoi reformën e emigracionit.

“Ata që bëjnë ligjet e këtij vendi ushqehen çdo ditë. Dhe nuk u shkon mendja se kjo që unë po ha, dikush është duke e rritur në fermë”, thotë zonja Hollabaugh.

Ligjvënësi republikan Scott Perry, i cili përfaqëson distriktin që përmbledh bashkinë Adams, ka marrë shumë ankesa të tilla.

Gjatë pjesëmarrjes në një aktivitet të komunitetit, ligjvënësi thotë se fillimisht duhet siguruar kufiri dhe më pas të bihet dakort për një reformim të emigracionit.

“Derisa të bindemi që kufiri të jetë i sigurtë, do të vazhdojë të ketë mosbesim. Do të vazhdojmë të kemi vështirësi në mënyrën se si do të trajtojmë njerëzit që kanë ardhur këtu ilegalisht”, thotë ai.

Ndërkohë, aktivistë pro-emigracionit po organizojnë në Gettysburg manifestime të rregullta për të rritur ndërgjegjësimin.

Organizatorja Jenny Dumont e hedh poshtë argumentin për sigurinë e kufirit.

“Mendoj se ky argument është pjesë e lojës që i paraqet emigrantët si kriminelë, të nxitur nga administrata aktuale. Ndjesia ime është se njerëzit që kanë patur kontakte me emigrantët këtu, e mirëkuptojnë kontributin e tyre dhe janë në gjendje t’i shikojnë si thjesht njerëz dhe jo t’i emërtojnë vetëm si emigrantë”, thotë zonja Dumont.

Në fermat e pemëve frutore, punëtorët po seleksionojnë frutat. Sapo të hyjë vjeshta, mollët e mbetura në pemë do të jenë të gatshme për t’u vjelë. Fermerët nuk janë të sigurtë nëse do të kenë mjaftueshëm punëtorë që t’i mbledhin ato.

SHBA, inxhinieri i Volkswagenit dënohet me mbi 3 vite burg

James Robert Liang (63) u dënua me 40 muaj burg dhe 200.000 dollarë (rreth 168.000 euro) gjobë për shkak se ndihmoi Volkswagen-in në mashtrimin e testeve

SAN FRANCISCO – Gjykata e Qarkut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të premten ka dënuar një inxhinier të Volkswagen-it me mbi tre vite burg për rolin e tij në skandalin e mashtrimit me testet e emetimit të gazrave.

James Robert Liang (63) u dënua me 40 muaj burg dhe 200.000 dollarë (rreth 168.000 euro) gjobë për shkak se ndihmoi Volkswagen-in në mashtrimin e testeve të qeverisë të emetimit të gazrave për disa automjete me motorë dizel.

Sean Cox, gjykatësja e Gjykatës së Qarkut në SHBA, shqiptoi dënim më të ashpër prej 36 muajve burg dhe 200.000 dollarë gjobë që kërkuan prokurorët. Liang nga ana tjetër kërkoi lirim me kusht dhe 1.500 orë punë të dobishme shoqërore.

Liang pas vuajtjes së dënimit do të lejohet të kthehet në vendin e tij, Gjermani. Po ashtu, ka të drejtë të ankimojë aktvendimin.

Ky vendim erdhi dy vite pas raportit se Volkswwgen ka shfrytëzuar softuer i cili ka mashtruar në testet për emetimet e gazrave të dëmshme, të cilat bëhen nga Qeveria. Vlerësohet se me këtë softuer ka pasur rreth 500.000 automjete të VW-së dhe Audi-t të cilat janë dërguar në periudhën prej vitit 2009 deri në vitin 2015. Bëhet fjalë për mashtrimin më të madh që Komisioni federal ka regjistruar në historinë e tij të gjatë 102 vite. aa

Teksasi është goditur nga një stuhi e fuqishme

Uragani Harvey në perifeti të qytetit Korpus Kristi

Shteti amerikan Teksas mbrëmë vonë është goditur nga stuhia më e fuqishme në dekadën e fundit.

Para se të arrinte në tokë, statusi i uraganit, Harvey, ishte ngritur në kategorinë e dytë më shkatërruese, me ç’rast shpejtësia e erës arrinte edhe në 130 kilometra në orë. Kjo stuhi ka kaluar 30 mila nga qyteti, Korpus Kristi, që i ka 320 mijë banorë, duke e shkatërruar rrymën elektrike dhe disa shtëpi.

Qendra Kombëtare për Uragane tha se stuhia mund të sjellë vërshime të rrezikshme për njerëzit në dhe rreth qytetit Hjuston, që është i katëri më i madhi në Shtetet e Bashkuara.

Vlerësohet se afro 6 milionë njerëz gjenden në trasenë e stuhisë.

Bizneset janë mbyllur ndërsa banorët janë nisur për tu larguar nga bregdeti i Teksasit, meqë zyrtarët kanë bërë thirrje për evakuim, para arrritjes së uraganit, Harvey.

SHBA: Hetime ndaj dy ish-ndihmësve të Trumpit për lidhjet ruse

Prokurori special Robert Mueller

Mediat amerikane kanë raportuar se kundër dy ish-ndihmësve të lartë të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po zhvillohen hetime për lidhjet me rusët, nga ana e prokurorit special amerikan.

Rrjeti NBC News ka raportuar mbrëmë se prokurori special, Robert Mueller, u ka bërë thirrje për dëshmi para jurisë së madhe, personave ekzekutivë që kishin punuar me Paul Manafortin, ish-shef i fushatës së zotit Trump, për angazhimin e tij për ish-presidentin prorus të Ukrainës, Vktor Yanukovich, në periudhën 2012 – 2014.

Rrjeti NBC e ka cituar njërin prej personave ekzekutivë që është thirrë për dëshmi, që ka thënë se hetuesit “po përpiqen të zbulojnë” nëse fushata lobuese për partinë proruse të ish-presidentit Yanukovich, ishte “projekt legjitim”.

Zoti Manafort, banesa e të cilit raportohet se ishte bastisur nga agjentët e FBI-së gjatë muajit të kaluar, ka dalur si figura kryesore në hetime.

Pjesëmarrësit kanë thënë se ai ishte i pranishëm në takimin në qershor të vitit 2016, gjatë të cilit djali i Trumpit ishte takuar me një avokate ruse, e cila sipas disa emailave, kishte pretenduar se ka informacione të dëmshme për demokraten, Hillary Clinton, që ishte rivale e zotit Trump në zgjedhjet presidenciale.

Fitohet lotaria me vlerën më të madhe në SHBA, 758 milionë dollarë me një biletë

Vlera më e lartë e fituar ndonjëherë me një biletë të vetme llotarie në SHBA u arrit dje në mbrëmje në Masaçusets duke kapur vlerën e 758,7 milionë dollarëve, që mund të tërhiqen brenda vitit.

“Çmimi i madh i Powerball prej 758,7 milionë dollarëve u fitua nga një biletë e vetme në Masaçuset, vlera më e madhe në histori për një biletë të vetme”, shkruan në Twitter “Powerball USA”, duke theksuar sot në një komunikatë se edhe katër bileta të tjera kishin kapur vlera mbi një milion dollarë.

Mjaftonte të kishe zgjedhur shifrat 6, 7, 16, 23, 26 dhe 4.

Pronari i lumtur i kësaj bilete fituese, e blerë në një dyqan në qytetin e Chicopee (verilindje), ka në dispozicion një vit që të paraqitet.

Ai mund të zgjedhë që të marrë shumën e fituar me këste për 30 vite, që do të përkonte me shumën e çmimit të madh ose të marrë një shumë unike prej 480,5 milionë dollarë. Sipas “Powerball USA”, fituesit e çmimeve të mëdha zgjedhin gjithnjë pagesën unike.

Mattis: Rusia po kërkon të rishkruajë me forcë kufijtë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis akuzoi sot Rusinë se “po kërkon të rishkruajë me forcë kufijtë ndërkombëtarë” dhe përsëriti angazhimin e SHBA për të ndihmuar në rritjen e aftësive të forcave të armatosura ukrainase.

Shefi i Pentagoni i bëri komentet në Kiev, pas takimit me presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko dhe udhëheqës të tjerë të vendit.

“Përsa i përket furnizimit të Ukrainës me armë vdekjeprurëse, ne po e shqyrtojmë këtë çështje në mënyrë aktive. Armët mbrojtëse nuk janë provokuese nëse nuk je agresor dhe sigurisht Ukraina nuk është agresore. Duke parë situatën aktuale do të mund të informoj Sekretarin e Shtetit dhe Presidentin në terma shumë konkrete, rreth asaj që unë rekomandoj për të ardhmen”, – tha shefi i Pentagonit, –

Nuk duhet të ketë asnjë dyshim se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Ukrainën në të gjitha aspektet, tha Sekretari i Mbrojtjes:

“Ne ju mbështesim juve përballë kërcënimeve, mbështesim sovranitetin dhe tërësinë tuaj tokësore si dhe rendin ndërkombëtar në tërësi,” tha zoti Mattis.

Shefi i Pentagonit përsëriti se Shtetet e Bashkuara janë kundër aneksimit që Rusia i bëri Krimesë në vitin 2014.

“Ne nuk e pranojmë dhe nuk do ta pranojmë aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe megjithë mohimet e Rusisë, ne e dimë se ata po përpiqen të rishkruajnë kufijtë ndërkombëtarë me forcë, duke minuar vendet sovrane dhe të lira të Evropës,” tha zoti Mattis.

Ai tha se sanksionet amerikane ndaj Rusisë do të mbeten në fuqi derisa Moska të ndryshojë sjelljen e saj.

Rusia, – tha zoti Mattis, – nuk ka përmbushur angazhimet e saj në kuadër të marrëveshjes së Minskut për të zgjidhur konfliktin në Ukrainën lindore si dhe marrëveshje të tjera të firmosuara prej saj.

“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë do të vazhdojnë të bëjnë presion ndaj Rusisë për të respektuar angazhimet e Minskut dhe sanksionet tona do të mbeten në fuqi derisa Moska të heqë dorë nga veprimet që i shkaktuan ato“, tha zoti Mattis.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për të gjetur një zgjidhje diplomatike për gjendjen në Ukrainë.

Zoti Mattis është kreu i parë i Pentagonit që viziton Ukrainën në një dekadë. Ai mori pjesë në një paradë me rastin e ditës së pavarësisë që shënon shkëputjen e Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.

Trumpi paraqet strategjinë për Afganistanin

Presidenti Donald Trump paraqiti të hënën mbrëma një strategji për politikën amerikane në Afganistan dhe në Azinë Jugore, duke thënë se amerikanët janë lodhur pa një fitore në luftën në Afganistan, më e gjata e ndërmarrë ndonjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një fjalim drejtuar vendit nga një bazë ushtarake në Fort Majer të Virxhinias pranë Uashingtonit, Presidenti Trump tha se SHBA duhet të përpiqen për një zgjidhje me nder dhe të qëndrueshme në Afganistan, zgjidhje që të jetë e denjë për sakrificat e bëra.

Ai tha se pasojat e një tërheqjeje të shpejtë do të krijonin një vakum që do të mbushej nga ekstremistët.

“Instinkti im fillestar ishte tërheqja,” tha Presidenti në fjalimin e tij. Por shtoi se ishte bindur nga këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare që të forconte aftësinë e SHBA për të mos lejuar talebanët të rrëzonin qeverinë e ka Kabulit të mbështetur nga Uashingtoni.

Presidenti nuk tha se sa forca amerikane do të dërgoheshin, por Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis ka plane për të dërgimin e rreth 4 mijë trupave shtesë, përveç 8 mijë e 400 që SHBA kanë të stacionuara në Afganistan.

Presidenti tha se trupat do të luftojnë për të fituar dhe se që tani e tutje fitorja do të ketë një përkufizim të qartë.

Objektivat amerikane në Afganistan, tha Presidenti Trump, do të përfshijnë fshirjen nga faqja e dheut të ISIS-it dhe moslejimin e talebanëve për të marrë nën kontroll Afganistanin.

Zoti Trump tha se për të arritur këto objektiva, ai do të zgjeronte autoritetin e trupave amerikane për të vënë shënjestër rrjetet kriminale dhe terroriste në Afganistan.

Presidenti bëri të ditur se SHBA do të vazhdojnë të punojnë për të forcuar trupat afgane të sigurisë. Por ai paralajmëroi se mbështetja amerikane për Afganistanin nuk ishte e pakufizuar. Ai tha se Afganistani duhet të tregojë një angazhim serioz dhe të ndërmarrë hapa për të luftuar probleme të tilla të përhapura si korrupsioni.

“Durimi ynë nuk është pa kufi. Ne do t’i mbajmë sytë hapur,” tha zoti Trump.

Presidenti Trump kritikoi gjithashtu Pakistanin, që ai tha se ka vepruar si strehë e sigurt për “agjentët e kaosit”.

SHBA, përfundon eklipsi i rrallë diellor

Në SHBA miliona njerëz patën rastin të shikojnë eklipsin e plotë diellor, i pari në gati një shekull që shtrihej nga njëri breg në tjetrin.

Eklipsi i plotë përfundoi në Karolinën e Jugut.

Njerëzit shihnin me habi se si hëna bllokoi plotësisht diellin, duke e kthyer ditën në gati muzg.

Bllokimi i plotë i hënës zgjaste rreth 2 minuta në secilin prej vendeve prej nga mund të shihej eklipsi, në korridorin e ngushtë që shtrihej përgjatë gjithë territorit kontinental amerikan nga Oregoni në Charleston të Karolinës së Jugut.

Në total, eklipsi zgjati rreth 90 minuta në të gjithë vendin.

Qytete dhe parqe të shumta në rrugën e eklipsit ishin mbushur plot me njerëz që e pritën këtë ngjarje të rrallë me duartrokitje dhe brohoritje.

Eklipsi i fundit nga njëri breg në tjetrin në SHBA ndodhi në vitin 1918.

E bija e Senatorit John Mc Cain lajmëron në Twitter: Lufta vazhdon!

E bija e Senatorit John Mc Cain,  Meghan McCain lajmëron në Twitter: “Babai im përfundoi raundin e parë të terapisë me rrezatim dhe kemio. Forca e tij për t’u ripërtritur është e pabesueshme. Lufta vazhdon…
Meghan McCain  po ashtu ka marrë një tweet të bërë nga vetë Senatori Mc Cain në faqen e tij shoqëruar me një foto ku ka dalë gjatë kësaj fundjave me të bijën dhe miqtë e tij ish senatorin Joe Lieberman dhe  senatorin republikan Lindsey Graham, ku bën me dije se fundjava ka qenë shumë e mbarë e kaluar mes miqsh.
.

SHBA: Dhjetë marinarë të zhdukur

Luftanija amerikane USS John S. McCain

Marina e Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se 10 marinarë konsiderohen të zhdukur, ndërsa pesë të tjerë janë plagosur, pasi një luftanije është ndeshur sot me një anije-cisternë në pjesën lindore të Singaporit.

Marina tha se luftanija, USS John S. McCain, u përplas me anijen-cisternë të naftës, Alnic MC, në orët e para të mëngjesit.

“Raportet e para paralajmërojnë se anija, John S. McCain, ka pësuar dëme”, thuhet në kumtesën e Marinës së Shteteve të Bashkuara dhe theksohet se “kërkimi dhe përpjekjet për shpëtim po vazhdojnë në koordinim me autoritetet lokale”.

Ky është incidenti i dytë në të cilin përfshihet një luftanije amerikane gjatë dy muajve të fundit në Paqësor.

Më 17 qershor shtatë marinarë humbën jetën kur luftanija, USS Fitzerald, dhe një anije transportuese, u ndeshën në Detin e Japonisë.

Amerikanët, në pritje të eklipsit të plotë të diellit

Të hënën, më 21 gusht – për herë të parë në 99 vjet – të gjithë Shtetet e Bashkuara do të përjetojnë një eklips të plotë diellor, prandaj emocionet kanë përfshirë të gjithë vendin. Ekspertët i këshillojnë njerëzit të përdorin lente mbrojtëse të posaçme për të parë eklipsin, por, siç do të mësojmë në materialin në vazhdim, gjetja e tyre po bëhet shumë e vështirë.

Pas pritjes në trafik pranë fabrikës së birrës Lagunitas me orë të tëra, Sarah McKnight u zhgënjye.

Ajo kishte udhëtuar mbi 160 kilometra jo për birrë, por diçka që është bërë e pamundur për t’u gjetur kudo në shtetet e rajonit Midwest të Shteteve të Bashkuara – lente mbrojtëse, posaçërisht për të parë eklipsin e plotë të diellit me 21 gusht.

“Sapo arritëm, ata po thonin se nuk kishte më lente”, thotë McKnight.

“Gjëja më e kërkuar tani është një copë kartoni me lente shumë specifike që ju lejojnë të shikoni diellin gjatë eklipsit” – thotë Sarah Cole.

Sarah Cole është nënkryetare e “Adler Planetarium” të Çikagos, që sponsorizoi aktivitetin ku lentet jepeshin falas në Lagunitas Brewery. Ishte planifikuar që në 12:30 të fillonte shpërndarja e një mijë lenteve.

Por, njerëzit filluan të viheshin në radhë në orën 4 të mëngjesit dhe për shkak të kërkesës së madhe, dhënia e lenteve filloi më herët, prandaj shumë njerëz përfunduan dorëbosh:

“Kërkesa është jashtëzakonisht e lartë. Kemi bërë përpjekje të mëdha për të provuar të japim sa më shumë prej tyre që të jetë e mundur. Dhe mendoj se ne nuk mund të kishim parashikuar disa nga sfidat që erdhën me përpjekjet për t’iu përgjigjur kërkesës” thotë zonja Cole.

Kjo ishte hera e fundit që “Adler Planetarium” jepte lente falas para eklipsit së 21 gushtit. Zonja Cole thotë se janë shpërndarë mbi 250,000 lente diellore.

“Menduam se një çerek milioni do të mjaftonte, duke patur parasysh se njerëzit do të kishin mënyra të tjera për t’i sigurua….”

Kërkesa ka krijuar një treg fitimprurës në internet për lente speciale, një nga mënyrat e vetme të tjera, përveç dhënies falas nga “Adler Planetarium”.

“Nuk ka më lente nëpër dyqane dhe tani nuk ka shumë mundësi për t’i siguruar”.

Megjithatë ato janë të nevojshme për të parë eklipsin:

“Është shumë e rëndësishme që njerëzit të mos shohin drejt diellit pa këtë lloj mbrojtjeje” shton zonja Cole.

Kjo do të thotë se, nëse Sarah McKnight nuk i gjen dot para eklipsit, ajo dhe djemtë e saj do të humbasin një mundësi që vjen njëherë në jetë.

“Duket sikur po kërkojmë për një biletë të artë. Kudo janë shitur, njerëzit thonë ‘s’ka më!’…por duhet të ketë mbetur një palë lente për ne, apo jo? Diku mund t’i gjejmë besoj” – thotë Sarah McKnight.

“Adler Planetarium” ka edhe disa të tjera… posaçërisht për t’i dhënë gjatë aktivitetit të organizuar atje për të parë eklipsin diellor.

Mattis do të vizitojë Ukrainën, Turqinë dhe Jordaninë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, do të udhëtojë gjatë javës së ardhshme në Ukrainë, për t’u takuar me presidentin e këtij vendi, Petro Poroshenko, dhe shefin e Mbrojtjes së Ukrainës.

Kievi e ka cilësuar këtë vizitë si hap, i cili mund të iniciojë një marrëveshje për mbrojtje.

Pentagoni ka thënë se përveç Ukrainës, Matiss do të vizitojë edhe Jordaninë dhe Turqinë.

Datat e sakta të vizitave ende nuk janë bërë të ditura.

Pritet që në Kiev, të diskutohet rreth kundërshtimeve të këtij vendi me Rusinë, e cila është ndëshkuar me sanksione amerikane dhe evropiane, pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë dhe mbështetjes së separatistëve në lindje të Ukrainës.

Rusia e mohon një gjë të tillë.

Sipas një deklarate të lëshuar nga Pentagoni, thuhet se Mattis do të sigurojë se Shtetet e Bashkuara, janë “ të përkushtuara për të kthyer sovranitetin dhe integritetin territorial” në këtë vend.

Largohet kryekëshilltari i Donald Trumpit

Presidenti Donald Trump ka vendosur që të shkarkojë Stephen Bannon, kryekëshilltarin e administratës së tij, i njohur edhe si truri i strategjisë së fushatës që e solli në krye të Shtëpisë së Bardhë në 2016.

Sipas asaj që raporton New York Times, vendimin për largimin e Bannon Presidenti Trump e ka diskutuar me dy bashkëpunëtorë të afërt.

Por, duke cituar burime të afërta me Stephen Bannon, New York Times thotë se vendimi për të lënë Shtëpinë e Bardhë kryekëshilltari e kishte marrë që më 7 gusht, kur i kishte dorëzuar dorëheqjen në tavolinë shefit të tij.

Sipas Bannon, dorëheqja duhej të njoftohej në fillim të kësaj jave, por u shty për shkak të protestave në Charlottesville.

Mediat amerikane thonë se Bannon prej muajsh ishte në një përplasje të hapur me këshilltarët e tjerë të Presidentit, madje edhe me anëtarë të familjes së tij.

SHBA, sulmohet busti i Abraham Lincoln në Uashington

Një grup i vandalëve me spërkatës kanë shkruar mesazhe me përmbajtje fyese në njërën nga shtyllat e bustit të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Lincoln

UASHINGTON – Busti i ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Uashinton ishte në shënjestër të vandalëve të cilët me spërkatës kanë shkruar mesazhe me përmbajtje fyese.

Sipas mediave amerikane, një grup i vandalëve të enjten herët me spërkatës të kuq kanë shkruar në njërën nga shtyllat e bustit të Abraham Lincoln, në Parkun Kombëtar në Uashington.

Thuhet se është e vështirë që të lexohet se çfarë shkruan konkretisht, por siç lënë të kuptohet bëhet fjalë për përmbajtje fyese.

E gjithë kjo ka ndodhur, ndërsa në SHBA ende janë duke vazhduar diskutimet në lidhje me trazirat raciste dhe ekstremiste në Charlottesville, në Virxhinia, ku ka pasur të vdekur dhe të plagosur. aa

I bllokohet qasja në internet faqes The Daily Stormer

Një artist duke shikuar porterin e viktimës, Heather Heyer, e cila ka vdekur në protesta e mbajtura në Sharllotsvill, Virxhinia

Publikuesi i ueb faqes kontraverse të neo-nazistëve në Shtetet e Bashkuara, Andrew Anglin, ka thënë se faqja,The Daily Stormer, është ndaluar plotësisht nga interneti”, pak pasi Angelin ka siguruar një domen rus.

The Daily Stormer, e ka humbur kontrollin e përdorimit të domenit, Dailystormer.com, pasi Google ka refuzuar t’i jap shërbime kësaj faqe.

Autoritetet ruse për rregullimin e mediave, kanë thënë se kërkesa për ndalimin e kësaj ueb faqe me domen rus, është bërë për shkak se e njëjëta është konsideruar të ketë postuar “ përmbajtje ekstremiste”.

Anglin, i ka treguar Associtated Press, se pas bllokimit të platformave në SHBA dhe Rusi, ai nuk mund të publikojë më materiale të supremacistëve të bardhë.

Google është përgjigjur me bllokim, pas thirrjeve në fushata të shumta nëpër rrjetet sociale, kundër kësaj ueb faqe, e cila ka bërë postime provokuese, pas vdekjes së Heather Heyer, viktimë e protestave kundër racizmit, në Sharllotsvill të Virxhinias.

Daily Stomer, qëndron sipas emrit të Der Sturmer, një gazetë që ka publikuar propagandën nazisite.

Anglin, në disa prej publikimeve, është talluar me Heather Heyer, e cila ka vdekur pasi një person ka sulmuar me veturë turmën e njerëzve në protestat në Sharllotsvill.

Dyshohet se sulmuesi ka qenë simpatizant i neo-nazistëve.

Anglin ndër të tjera e ka cilësuar Heyer si “definicion të padobishmërisë”, duke provokuar përgjigje të shumta në rrjete sociale.

“Ata më kanë ndaluar regjistimin e një domeni të ri”, i ka thënë Anglin, AP-së.

Rrjetet sociale, Facebook dhe Tëitter kanë thënë se larguar të gjitha faqet që kanë qenë të ndërlidhura me The Daily Stormer, i cili ka ndihmuar në organizimin e marshit në Sharllotsvill, i cili më pas rezultoi me vdekjen e Heather Heyerit, gjatë vikendit të kaluar.

Presidenti Trump dënon supremacistët e bardhë

Presidenti Donald Trump tha se “racizmi është një e keqe”, duke dënuar KKK-në, neo-nazistët dhe supremacistët e bardhë si “kriminelë dhe banditë”.

Ai i bëri komentet në sallën e pritjeve diplomatike të Shtëpisë së Bardhë pas takimit me Prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions dhe drejtorin e FBI-së Christopher Wray në lidhje me dhunën me motive raciste në Sharlotsvill të Virxhinias.

Presidenti Trump ka qenë në shënjestër të kritikave për komentet e bëra të shtunën, kur u shpreh se për dhunën në Sharlotsvill duhet të fajësohen “shumë palë”. Në komentet e së shtunës ai nuk veçoi supremacistët e bardhë apo ndonjë grup tjetër urrejtjeje, edhe pse disa ligjvënës republikanë dhe të tjerë në Shtëpinë e Bardhë i dënuan ata me emër.

“Kushdo që ka shkelur ligjin në dhunën raciste këtë fundjavë, do të jetë përgjegjës,” tha zoti Trump gjatë komenteve të shkurtra që bëri në Shtëpinë e Bardhë.

Deklarata erdhi dy ditë pasi ai nuk arriti të dënojë në mënyrë konkrete tubimin e supremacistëve ku u vra 32-vjeçarja Heather Heyer dhe u plagosën rreth 19 të tjerë nga një person, që sipas njoftimeve kishte prirje raciste dhe pro-naziste.

Në komentet e tij, Presidenti Trump bëri thirrje gjithashtu për unitet.

“Duhet ta duam njëri-tjetrin, të tregojmë dashuri për njëri-tjetrin dhe të bashkohemi në dënimin e urrejtjes, fanatizmit dhe dhunës. Ne duhet të rizbulojmë lidhjet e dashurisë dhe besnikërisë që na bashkojnë si amerikanë,” tha ai.

NËN KRITIKA

Presidenti Donald Trump u vu nën kritika për reagimin fillestar ndaj dhunës që shoqëroi protestat në Sharlotsvill, ku u përballën demonstrues të ekstremit të djathtë me një grup anti-protestuesish. Në këtë incident një makinë goditi qëllimisht turmën, duke lënë të vrarë një protestuese dhe duke plagosur disa të tjerë.

“Dënojmë me termat më të forta të mundshme këtë shpalosje të neveritshme të urrejtjes, paragjykimeve dhe dhunës nga shumë palë,” reagoi presidenti.

Presidenti i bëri komentet pasi makina kishte goditur turmën. Reagimi i tij u përcoll me kritika se nuk ia kishte vënë fajin haptazi supremacistëve të bardhë të cilët ishin mbledhur në Sharlosvill dhe sepse komentet e tij dukej se hidhnin një pjesë të fajit edhe mbi anti-protestuesit.

Senatori republikan Orrin Hatch postoi një koment në twitter: “Duhet ta themi hapur kur kemi të bëjmë me ligësi. Im vëlla nuk dha jetën në luftë kundër nazizmit gjerman që ky problem të na shfaqet këtu”.

Edhe përkrahësi besnik i presidentit, Anthony Scaramucci tha se presidenti duhet të kishte dalë me mesazh më të fortë:

Anthony Scaramucci, ish-drejtor i komunikimeve për Shtëpinë e Bardhë, Marrë nga ABC This Week

“Mendoj se duhet të ishte treguar shumë më i ashpër në adresë të supremacistëve të bardhë”.

Shtëpia e Bardhë tha të dielën se nuk vihet në dyshim që presidenti po dënonte me komentet e tij supremacistët e bardhë dhe ekstremistë të tjerë. Zyrtarë të tjerë të administratës folën më hapur:

“Mendoj se kurdo që përdoret dhunën kundër njerëzve për të ngjallur frikë, kemi të bëjmë me një akt terrorist. Pamë një kriminel i cili kreu një akt kriminal kundër bashkëkombasve të tij amerikanë. Do të presim se çfarë do të thonë hetimet, por akti i tij mund të jetë motivuar nga urrejtja dhe paragjykimet,” tha këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare, H.R. McMaster.

Personi i dyshuar për goditjen e turmës me makinë është akuzuar për vrasje me paramendim të kategorisë së dytë. Departamenti i Drejtësisë ka hapur një proces hetimor.

Kissinger: Rënia e Shtetit Islamik çon në Perandori të Iranit

Henry Kissinger, diplomat, ish-ministër dhe këshilltar për sigurinë kombëtare, i njohur edhe si arkitekti i politikës së jashtme në periudhën 1969-1977, ka ndjekur me shqetësim zhvillimet në Lindjen e Mesme, luftën e forcave aleate dhe disfatën e Shteti Islamik.

Dhe ajo çfarë e shqetëson më shumë është rënia e shumëlakmuar e të vetë-vetëquajturit “Kalifati Islamik”, që sipas tij do të krijonte premisat  për forcimin e një “perandorie radikale Iranit” dhe zgjerimin e territoreve të Teheranit.

Kisinger paralajmëron se zgjedhja e një aleati në  Lindjen e Mesme apo mbajtja e njërës apo tjetrës anë në kushtet e konflikteve të armatosura  mund të sjellë shumë probleme, shkruan Respublica.

“Thënia se armikut i armikut tuaj mund të konsiderohet si miku yt” në këtë rast nuk vlen. Lindja e Mesme ndikon botën për shkak të paqëndrueshmërisë së ideologjike dhe disa akteve“, shkruan Kissinger në një artikull për CapX.

“Lufta me Shtetin Islamik mund të shërbejë si një shembull. Forcat që nuk janë të lidhura me Shtetin Islamik, duke përfshirë shiitët e Iranit dhe anëtarët e udhëheqjes sunite të disa vendeve bien dakord mbi nevojën për shkatërrimin e Shtetit Islamik.

Por cila njësi ekonomike mund të supozojmë se do të trashëgojë territorin e ISIS? Një koalicion i sunitëve? Apo ai do të jetë një sferë e ndikimit iranian? Përgjigja na devijon për shkak se Rusia dhe vendet e NATO-s vendet mbështesin grupeve kundërshtare. Nëse tokat e Shtetit Islamik pushtohen nga forcat e Gardës Revolucionare dhe grupet shiite, rezultati mund të jetë krijimi i një “zone” territoriale që do të shtrihej nga Teherani në Bejrut dhe mund të shënonte krijimin e një Perandoria Radikale të Iranit“, përfundon Kissinger.

Drejtori i CIA-s, Pompeo: Koreja e Veriut është afër të bëhet fuqi bërthamore

“Koreja e Veriut vazhdon me zhvillimin e armëve bërthamore. . Punojnë për rreth 20 vite dhe janë afër të bëhen fuqi bërthamore”, deklaroi drejtori i CIA-s, Pompeo

UASHINGTON – Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-ve (CIA), Mike Pompeo tha se Koreja e Veriut vazhdon testimet bërthamore por nuk posedon ndonjë informacion se janë në prag të një lufte bërthamore me Korenë e Veriut

Pompeo në një deklaratë për televizionin “Fox News Sunday” foli mbi zhvillimet lidhur me Korenë e Veriut.

Ai tha se Pheniani është duke vazhduar punimet për armët bërthamore. “Koreja e Veriut vazhdon me zhvillimin e armëve bërthamore. Punojnë për rreth 20 vite dhe janë afër të bëhen fuqi bërthamore”, deklaroi drejtori i CIA-s, Pompeo.

Lidhur me pyetjen nëse Koreja e Veriut do të sulmojë në një kohë të afërt SHBA-në apo jo, Pompeo u përgjigj: “SHBA-të nuk janë në një situatë që kërkon përfshirjen në luftë bërthamore me Korenë e Veriut. Ne nuk posedojmë një informacion të tillë të inteligjencës”.

Duke folur me lëvdata lidhur me punën diplomatike të presidentit amerikan Donald Trump kundër qeverisë së Phenianit, Pompeo thotë se si rezultat i punës së administratës së Trumpit Koreja e Veriut është izoluar edhe më shumë në rajon.

“Tani më edhe Kina thotë se në rajon nuk duhet të ketë armë bërthamore”, thekson Pompeo.

Sa u përket pohimeve se Koreja e Veriut do t’i vazhdojë testimet e armëve bërthamore, drejtori i CIA-s Pompeo shtoi se ky vend në çdo testim krijon përvojë.

Gjenerali i lartë amerikan Dunford shkon në gadishullin korean

Gjenerali i lartë amerikan ka mbërritur në gadishullin Korean mes kërcënimeve të pashembullta midis Uashingtonit dhe Phenianit dhe ndërsa manovrat ushtarake vjetore midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut rrezikojnë të rrisin tensionet.

Duke folur për gazetarët rrugës për në Kore, gjenerali Joe Dunford, shef i shtatmadhorisë amerikane, tha se fokusi kryesor i ushtrisë është të mbështesë fushatën diplomatike dhe ekonomike të administratës, për ta bërë gadishullin Korean pa armë bërthamore, ndërkohë që përgatit opsionet ushtarake, nëse kjo fushatë dështon.

Ai tha se vizita e tij në rajon këtë javë synon të sigurojë aleatët si Koreja e Jugut dhe Japonia, ndërkohë që ndërton marrëdhëniet ushtarake me Kinën, në mënyrë që të parandalohen rreziqet.

“Ne të gjithë kërkojmë të dalim nga kjo situatë pa luftë, një botë ku Pheniani zotëron armë bërthamore që kërcënojnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre rajonalë; kjo është e papranueshme. Si udhëheqës ushtarak, mua më duhet të siguroj se presidenti të ketë opsione ushtarake praktike, në rast se fushata e presionit diplomatik dhe ekonomik dështon,” tha gjenerali Dunford.

Megjithatë, disa ekspertë nuk pajtohen me idenë se blerja e armëve bërthamore nga Pheniani është një opsion i papranueshëm. Richard Bush, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën China John L. Thornton të Institutit Brookings, thotë se administrata Trump ka bërë gabim të madh, duke përcaktuar se zotërimi i armëve bërthamore të Koresë së Veriut, të afta për të goditur Shtetet e Bashkuara, është diçka për t’u luftuar.

“Rreziku ose fokusi më i madh duhet të jetë sigurimi që Koreja e Veriut nuk i përdor këto aftësi”, – tha Richard Bush për Zërin e Amerikës.

Gjenerali Dunford arriti në bazën ajrore Osan në Korenë e Jugut të dielën vonë. Ai ka në plan të takohet me Presidentin Moon Jae-In dhe homologun e tij ushtarak të Koresë së Jugut të hënën, përpara se të udhëtojë për në Kinë dhe Japoni më vonë gjatë javës.

SHBA: Nisin hetimet për vdekjen në tubimin e supremacistëve

Në Shtetet e Bashkuara, FBI-ja, Seksioni i të Drejtave Civile pranë Departamentit të Drejtësisë dhe Zyra e Prokurorit kanë hapur një hetim për të drejtat civile lidhur me goditjen e turmës me makinë gjatë një proteste kundër një demonstrate të nacionalistëve të bardhë në Sharlotsvil të Virxhinias.

Incidenti me makinë shkaktoi një të vdekur.

Guvernatori i Virxhinias u tha të shtunën supremacistëve të bardhë që ishin mbledhur në Sharlotsvil për të protestuar kundër heqjes së një statuje të Konfederatës, të “shkonin në shtëpi”, pas incidenteve të dhunshme.

Përveç një gruaje të vrarë nga makina që goditi turmën, dy persona të tjerë gjetën vdekjen nga përplasja e një helikopteri, incident që policia tha se kishte lidhje me tubimin e protestës.

Guvernatori Terry McAuliffe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Sharlotsvil pas shpërthimit të përleshjeve mes nacionalistëve të bardhë, që mbanin mburoja, dhe anti-protestuesve që po ashtu ishin të pajisur me mjete mbrojtëse.

Guvernatori i Virxhinias: 3 vdekje të shkaktuara nga tubimi i supremacistëve të bardhë

“Kam një mesazh për të gjithë supremacistët e bardhë dhe nazistët që erdhën sot në Sharlotsvil. Mesazhi ynë është i qartë dhe i thjeshtë: Shkoni në shtëpi”, tha zoti McAuliffe në një konferencë shtypi. “Ju nuk jeni të dëshiruar në këtë shtet. Të keni turp,” tha ai.

Nëpërmjet Twitterit, guvernatori McAuliffe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme “për të ndihmuar reagimin e autoriteteve shtetërore ndaj dhunës në tubimin e së djathtës alternativë në Sharlotsvil.”

“Aktet dhe retorika në Sharlotsvil gjatë 24 orëve të fundit janë të papranueshme dhe duhet të ndalen. E drejta e fjalës nuk është e drejtë për dhunë,” tha ai në Tweeter.

‘Demonstrim skandaloz’​

Presidenti Donald Trump, duke folur të shtunën vonë nga Nju Xhersi, dënoi “demonstrimin skandaloz të urrejtjes, fanatizmit dhe dhunës nga të gjitha palët,” në Sharlotsvil.

Zoti Trump, i cili po përgatitej të nënshkruante një projekt-ligj për të zgjeruar programin e kujdesit shëndetësor për veteranët, bëri thirrje për “rivendosjen e shpejtë të rendit dhe ligjit” në qytet, duke shtuar se “asnjë qytetar nuk duhet të ketë kurrë frikë për sigurinë e tij.”

Pas nënshkrimit të projektligjit, ai nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve. Një gazetar kërkoi që ai të shpjegonte se çfarë nënkuptonte me fjalët “nga të gjitha palët”.

Menjëherë pas anulimit të tubimit në Charlottesville, një makinë u përplas në turmën e njerëzve në rrugë, ndërkohë që ata po largoheshin. Makina hyri në turmë me shpejtësi dhe një video tregon se si një person i goditur fluturoi në ajër nga përplasja.

Një anti-demonstrues në tubimin e së shtunës

Një 32-vjeçare humbi jetën dhe mbi 20 njerëz u plagosën.

Policia tha se kishte arrestuar shoferin e makinës, duke e identifikuar atë më vonë si James Alex Fields Jr, 20 vjeç nga Ohajo. Fields po mbahet si i dyshuar për vrasje të shkallës së dytë.

Gazeta “Toledo Blade” e Ohajos ia dha e para lajmin nënës së 20-vjeçarit, Samantha Bloom, e cili tha se nuk ishte kontaktuar nga autoritetet. Ajo tha se i biri i kishte thënë se po shkonte në një tubim të së djathtës në Virxhinia por pa i treguar hollësi për natyrën ekstremiste të tubimit.

“Mendova se kishte të bënte me zotin Trump”, i tha ajo gazetës. Ajo tha se ajo dhe djali i saj kishin lëvizur në Ohio rreth një vit më parë nga Florence e Kentakit.

Kryebashkiaku i qytetit Sharlotsvil Michael Signer tha në Twitter se ishte “i trishtuar” në lidhje me vdekjen dhe u bëri thirrje të gjithë atyre që ende ndodheshin në vendin e protestës të shkonin në shtëpi.

Disa orë më vonë, policia e shtetit Virxhinia njoftoi se një nga helikopterët e saj ishte rrëzuar në një zonë të pyllëzuar jashtë qytetit, duke lënë të vrarë dy policë.

Shpërthimi i dhunës pas përplasjes së supremacistëve të bardhë me anti-demonstruesit

Demonstratë e dhunshme

Incidenti me makinë ndodhi kur njerëzit po largoheshin nga zona pasi policia e kishte shpallur demonstrimin të paligjshëm; gjatë tubimit, mes demonstruesve dhe anti-demonstruesve pati incidente të shpeshta dhune.

Qindra protestues nga të dyja palët morën pjesë në përplasjet e së shtunës; njerëzit qëllonin me grushta dhe hidhnin shishe me ujë e sende të tjera. Policia përdori gaz lotsjellës për të ndarë palët.

Tubimi në Universitetin e Virxhinias me temë “Të bashkojmë të djathtën”, bëri që zoti McAuliffe të paralajmëronte njerëzit qysh më parë që të qëndronin larg nga kampusi.

Të premten natën, nacionalistët e bardhë organizuan një demonstratë të cilën e quajtën pro të bardhëve. Ata marshuan me pishtarë në duar nëpër kampusin universitar dhe u mblodhën rreth statujës së gjeneralit Robert E. Lee, hero i Konfederatës gjatë Luftës Civile. Ata hidhnin parulla të tilla si: “Jetët e të bardhëve kanë rëndësi,” si reagim ndaj organizatës “Jetët e zezakëve kanë rëndësi” e cila u krijua pas disa vrasjeve të afrikano-amerikanëve nga ana e policisë.

Në muajin prill, qyteti Sharlotsvil votoi për ta hequr statujën, një masë që po merret nga shumë qytete amerikane kundër përmendoreve të tilla të Konfederatës që i përkasin epokës së luftës civile. Që nga ajo kohë, qyteti Sharlotsvil ka qenë në shënjestër e nacionalistëve të bardhë.

Policia nën statujën e gjeneralit Robert E. Lee

Kritikat

Presidenti Trump u kritikua nga anëtarët e të dy partive politike pasi nuk specifikoi nacionalistët e bardhë në komentet e tij.

“Ne duhet ta quajmë të keqen me emrin që ka. Vëllai im nuk e dha jetën më kot në luftë kundër ideve të Hitlerit që idetë naziste të kalojnë pa u ndëshkuar këtu në vendion tonë,” komentoi në Twitter Senatori Orrin Hatch, republikan nga shteti Juta.

Nacionalistët e bardhë në kampusin e universitetit të premten mbrëma

Mes supremacistëve të bardhë në tubimin e së shtunës ishin udhëheqësi i së djathtës alternative Richard Spencer dhe ish-anëtari i Ku Klux Klanit David Duke.

Duke tha se tubimi “përfaqëson një pikë kthese për popullin e këtij vendi.”

“Ne jemi të vendosur ta marrim përsëri vendin në duart tona. Ne do të përmbushim premtimet e Donald Trumpit,” shtoi ai.

Virginia City Rocked by White Nationalist Protests

Kryebashkiaku Signer tha se ai ia hidhte fajin zotit Trump për nxitjen e paragjykimeve racore gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.

“Nuk kam ndërmend t’i zbus fjalët. Për shumë nga ato që po shohim sot në Amerikë unë ia hedh fajin Shtëpisë së Bardhë dhe njerëzve që rrethojnë presidentin,” tha ai për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Protesta të dhunshme në Virxhinia

Në Virxhinia po zhvillohen protesta të dhunshme të supremacistëve të bardhë, të cilëtu u përleshën me kundërprotestues në rrugët përreth një parku, ku po mbahej një miting.

Videot e marra gjatë incidenteve të ndryshme, paraqesin demonstrues me mburoja, duke u përleshur me protesuesit e palës kundështare, po ashtu të pajisur me mburoja, ndërsa marshonin në qytetin e Sharlotsvillit.

Guvernatori i Virxhinias Terry McAuliffe tha në Twitter se kishte deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme “për t’i ardhur në ndihmë shtetit, që t’i përgjigjet dhunës që ndodhi në një miting të ekstremit të djathtë në Sharlotsville”.

“Aktet e retorikës në Sharlotsville gjatë 24 orëve të fundit janë të papranueshme dhe duhet të marrin fund. E drejta e fjalës nuk është e drejtë për dhunë” – shkruante guvernatori i Virxhinias.

Protestat filluan mbrëmë në Universitetin e Virxhinias. Ato u bënë të dhunshme dhe e detyruan guvernatoin e shtetit t’i paralajmëronte njerëzit të largohen nga kampusi i Universitetit. Protesuesit mbanin në duar pishtarë dhe thërrisnin “jeta e të bardhëve është e rëndësishme’, një shprehje që të kujton thirrjet në protestat kundër racizimit dhe diskriminimit të afrikano-amerikanëve.

Në protestat që po mbahen sot me temën “Bashkohuhi për të drejtat”, thuhet se po marrin pjesë 2 mijë deri në 6 mijë vetë.

Protestat po organizohen pas zemërimit që ngjalli një plan për heqjen e një statuje të gjeneralit të periudhës së Luftës Civile Amerikane, Robert E. Lee, i cili ishte komandant i ushtrisë së Konfederatës së Virginias Veriore në vitet 1862 deri në 1865.

Trumpi: Udhëheqësi koreanoverior do të pendohet shpejt

Presidenti Donald Trump tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut do të “pendohet shpejt” nëse kërcënon ose vepron kundër Guamit, apo ndonjë territori tjetër të Shteteve të Bashkuara apo aleat.

Në komentet e bëra të premten pasdite në Bedminster të Nju Xhersit, Presidenti Trump tha se dhjetëra miliona amerikanë mbështesin qëndrimin e tij të ashpër ndaj kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut.

Pas disa ditë kërcënimesh të ashpra ndaj Koresë së Veriut, Presidenti Trump ia drejtoi paralajmërimin e tij të premten udhëheqësit të vendit komunist, Kim Jong Un.

Më herët të premten, Presidenti komentoi në Twitter se “zgjidhjet ushtarake janë tani plotësisht gati,” nëse regjimi i Kim Jong Un-it “bën veprime të pamatura”.

NJë ditë më parë ai tha se mesazhi i tij për udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un, mund të mos kishte qënë i fuqishëm sa duhet.

“Ajo që kanë bërë dhe që janë lejuar të bëjnë është tragjedi dhe nuk mund të lejohet.”

Zoti Trump iu përgjigj njoftimeve të Koresë së Veriut se ajo ka plane për të hedhur raketa pranë ishullit Guam. Guami është strehë e një baze ajrore dhe e një instalimi detar amerikan me një personale ushtarak prej 7 mijë vetësh.

“Të shohim çdo të bëjë me Guamin. Nëse bën diçka, ajo që do t’i ndodhë Koresë së Veriut, do të jetë një ngjarje që askush nuk e ka parë ndonjëherë.”

Shumë analistë, i kanë kritikuar deklaratat e presidentit Trump.

“Mendoj se gjuha e Presidentit Trump ishte acaruese. Është e njëjta gjuhë zjarrvënëse që jemi mësuar të dëgjojmë nga koreanoveriorët,” tha John DeLury i Universitetit Yonsei të Koresë së Jugut.

Por presidenti Trump thotë se diplomacia nuk ka funksionuar me Kim Jong Unin apo të atin e tij:

“Ata kanë negociuar për 25 vjet. Clinton bëri negociata. Ai ishte i dobët dhe i paefektshëm. Çfarë ndodhi me presidentin Bush, çfarë ndodhi me Obamën? Obama as që donte të fliste për këtë.”

Presidenti nuk pranoi të specifikonte se cila do të jetë përgjigja e Shteteve të Bashkuara. Por në një konferencë për shtyp, ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë modernizuar arsenalin e tyre bërthamor për të siguruar që Amerika mbetet vendi më i fuqishëm bërthamor në botë. Ai tha gjithashtu se do të investohen miliarda dollarë për të rritur sistemin e mbrojtjes nga raketat dhe për të modernizuar më tej ushtrinë amerikane:

“Askush, përfshi Korenë e Veriut, nuk do të na kërcënojë ne për asgjë.”

Ekspertët ushtarakë kanë thënë se Shtetet e Bashkuara janë të afta të asgjësojnë ushtarakisht Korenë e Veriut por me një kosto të madhe njerëzore. Një sulm bërthamor mbi atë vend, do të vriste miliona koreanoveriorë dhe do të dëmtonte fqinjët e Phenianit. Sulmi do të armiqësonte gjithashtu Kinën.

Zoti Trump tha gjithashtu se armët bërthamore janë kërcënimi më i madh në botë dhe do të donte eliminimin e tyre.

“Do të doja që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, Pakistani dhe shumë vende të tjera që kanë armë bërthamore t’i eliminonin ato.”

Por derisa ta bëjnë këtë, presidenti Trump premtoi se Shtetet e Bashkuara do të jenë vendi bërthamor më i fuqishëm në botë.

Trumpi: Zgjidhjet ushtarake tani janë gati

Presidenti Trump bëri sot një kërcënim të ri kundër Koresë së Veriut, duke shkruar në Twitter se “zgjidhjet ushtarake janë tani plotësisht gati,” nëse regjimi i Kim Jong Un-it “bën veprime të pamatura”.

“Shpresojmë se Kim Jong Un do të gjejë një rrugë tjetër!” shkruan Presidenti Trump në komentet e tij, duke iu referuar zhvillimit të armëve bërthamore nga Koreja e Veriut megjithë shtimin e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ndaj Penianit.

Deklarata e re vjen një ditë pas paralajmërimit të bërë të enjten nga Presidenti ndaj Koresë së Veriut, kur tha se “atyre do t’u ndodhin gjëra që ata nuk i kanë menduar kurrë si diçka të mundur,” nëse sulmojnë Shtetet e Bashkuara ose aleatët e tyre.

Presidenti Trump u tha gjithashtu gazetarëve se kërcënimi i tij i mëparshëm “për zjarr dhe furi” mund të mos ketë qenë “mjaft i fortë”.

Ai tha dje se Koreja e Veriut “duhet të sillet mirë, përndryshe do të ketë probleme sikurse disa vende të tjera”.

Presidenti i bëri komentet ndërsa pushon në klubin e golfit të tij në New Jersey.

Më herët gjatë kësaj jave ai tha se Koreja e Veriut do të përballet me zjarr dhe furi që bota nuk e ka njohur ndonjëherë.

Koreja e Veriut ka njoftuar se po finalizon një plan për të hedhur katër raketa balistike pranë brigjeve të territorit amerikan të Guamit në Paqësor, një provokim i ri në retorikat mes Phenianit dhe Uashingtonit.

Ushtria Popullore e Koresë së Veriut bëri publike hollësi të reja për një goditje me raketa ndaj Guamit. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, raketat që planifikohen të lëshohen pritet të jenë me rreze të mesme veprimi. Ato do të kalojnë mbi Japoni dhe janë planifikuar të bien 30 deri 40 kilometra nga Guami, i cili ndodhet 3 mijë kilometra në juglindje të Gadishullit Korean.

Plani, që sipas ushtrisë do t’i paraqitet udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un në mes të muajit gusht, ndryshon prej kërcënimeve të mëparshme ndaj Shteteve të Bashkuara dhe përshkruhet si një operacion shumë specifik.

Në Guam jetojnë 163 mijë qytetarë amerikanë si dhe janë të vendosura një bazë ushtarake amerikane që përfshin dhe një njësi operacionele nëndetësesh, një bazë ajrore dhe një Roje Bregdetare.

Paralajmërimin e presidentit Trump këtë javë se Pheniani do të përballej me “zjarr dhe furi” nëse kërcënon përsëri Shtetet e Bashkuara, ushtria e Koresë së Veriut e cilësoi “tërësisht të pakuptimtë”.

Në komentin e saj agjensia e lajmeve KCNA tha për presidentin Trump se “dialogu me një person të tillë, të cilit i mungon arsyeja tingëllon i pamundur dhe se vetëm forca e pakufizuar mund të funksionojë mbi të.”

Ndërkaq, Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in, ka reaguar i përmbajtur lidhur rrezikun në rritje bërthamor që paraqet Koreja e Veriut dhe në veçanti mbi paralajmërimet e presidentit Trump.

Trumpi: Irani po shkel “shpirtin” e marrëveshjes së “tmerrshme”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, e ka përsëritur edhe një herë se Irani nuk është “duke iu përmbajtur shpirtit” të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, duke e cilësuar atë si “marrëveshje të tmerrshme”.

“Nuk mendoj se janë duke iu përmbajtur shpirtit të marrëveshjes”, u ka thënë Trump, gazetarëve në Nju Xhërsi, ku është duke kaluar pushimet.

“Unë personalisht nuk besoj se po veprojnë në përputhje me marrëveshjen, mirëpo kemi kohë, do ta shohim. Mendoj se do të shihni zbatimin e gjërave shumë të fuqishme, nëse ata nuk veprojnë në pajtim me paktin”, ka shtuar tutje ai.

Sipas kësaj marrëveshje, Iranit i janë lehtësuar sanksionet ndërkombëtare, në këmbim të zvogëlimit të aktivitetit bërthamor.

Agjencitë për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes, në kuadër të OKB-së dhe SHBA-së, kanë thënë se Irani ka respektuar marrëveshjen.

Mirëpo liderët amerikanë vazhdojnë ta akuzojnë këtë vend për “shkelje të shpirtit të marrëveshjes”, duke iu referuar lëshimit të raketave balistike, me kapacitet për të bartur koka bërthamore.

Ndonëse SHBA e ka sanksionuar për këto programe, Irani vazhdon të mbrojë aktivitetet, duke thënë se janë për qëllime të vetëmbrojtjes.

Trumpi, thirrje për largimin e udhëheqësit republikan të Senatit

Presidenti Donald Trump la të kuptohet se kreu i republikanëve të Senatit duhet të largohet nëse nuk është në gjendje të sigurojë miratimin e axhendës legjislative të Shtëpisë së Bardhë.

“Ju mund të bëni pyetjen nëse udhëheqësi i shumicës Mitch McConnell duhet të mbetet apo jo në postin e tanishëm, nëse ai nuk është në gjendje të sigurojë miratimin e një plani për të shfuqizuar dhe zëvendësuar ligjin e tanishëm të kujdesit shëndetësor, për të ndryshuar kodin e taksave dhe për të kaluar një propozim mbi infrastrukturën,” tha zoti Trump.

Presidenti i bëri komentet për gazetarët gjatë një udhëtimi 17-ditor në Nju Xhersi dhe Nju Jork, ku ai zotëron disa shtëpi banimi.

Presidenti Trump ka disa ditë që vazhdon ta kritikojë në Twitter senatorin McConnell, i cili ka një rol të rëndësishëm në avancimin e programit legjislativ të presidentit.

Nëpërmjet një mesazhi të enjten, i dyti në më pak se 24 orë, zoti Trump sulmoi zotin McConnell, pasi sipas tij ai nuk po nxit futjen e projektligjit për kujdesin shëndetësor në rendin e ditës të Senatit.

Në një tjetër koment në Twitter të mërkurën, zoti Trump e kritikonte senatorin McConnell lidhur me deklarat më të fundit të tij, sipas të cilave përvoja e shkurtër politike e presidentit kontribuoi në shanset e ulta për kryerjen e reformës në shëndetsi.

Presidenti ynë i ri, natyrisht që nuk ka qënë më parë në këtë lloj pune. Mendoj se ai kishte pritshmëri të tepruar se sa shpejt ndodhin gjërat në procesin demokratik“, u tha të hënën zoti McConnell zgjedhësve në shtetin e tij Kentaki.

Pasi tre variante republikane për të shfuqizuar ligjin e kujdesit shëndetësor të vendit dështuan në fund të muajit korrik, senatorët republikanë thanë se tashmë do të përqendrohen në të tjera çështje prioritare të përbashkëta, siç janë reforma e taksave dhe buxheti federal.

Por zoti Trump nuk ka hequr dorë nga çështja e kujdesit shëndetësor dhe vazhdon të sulmojë zotin McConnell, udhëheqës që gëzon popullaritet mes republikanëve të Senatit.

Sulmet janë një qasje e rrezikshme duke marrë parasysh vlerësimet e ulta që gëzon zoti Trump për punën e tij, nga mbështetësit e tij më të zjarrtë.

Një numër sondazhet të zhvilluara së fundmi tregojnë se numri i votuesve që dikur e mbështesnin me forcë presidentin, ka rënë.

SHBA: Bota mbështet përpjekjet për të vënë nën kontroll Phenianin

Shtetet e Bashkuara thonë se shumë vende të tjera i mbështesin përpjekjet e tyre për t’u bërë presion udhëheqësve të Koresë së Veriut që të heqin dorë nga programi i armëve bërthamore. Shkëmbimet e replikave mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit koreano-verior Kim Jong Un këtë javë kanë shtuar shqetësimet se mund të ketë një përplasje ushtarake që do të destabilizonte gadishullin korean.

Departamenti amerikan i Shtetit i doli dje në mbrojtje zotimit të Presidentit Trump se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen “me zjarr dhe furi” ndaj kërcënimit koreano-verior se mund të godasë ishullin e Guamit që bën pjesë në komunuelthin amerikan dhe ku ndodhen dy baza strategjike amerikane.

“Së pari të analizojmë cilat janë zhvillimet alarmante. Ka pasur dy prova me raketa balisitike ndërkontinentale brenda një muaji, dy prova bërthamore gjatë vitit të kaluar. Në fakt, në Kinë u regjistrua një tërmet dhe shumë prej jush më dërguan emaile me pyetjen “Mos ishte një tjetër provë bërthamore?” Kjo tregon sa serioze është situata aktuale,” tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert.

Zëdhënësja Heather Nauert tha se provat bërthamore të Koresë së Veriut janë kërcënim për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare, jo vetëm Shtetet e Bashkuara.

Qeveria franceze vlerësoi dje përgjigjen e prerë që i dha Presidenti Trump kërcënimit koreano-verior ndaj territorit amerikan, por bëri thirrje për një zgjidhje paqësore.

Christophe castaner, zëdhënës i qeverisë franceze

“Franca është e gatshme ta përdorë influencën e saj për të gjetur një zgjidhje paqësore, pasi rreziku është real. Vendosmëria që dëshmoi presidenti amerikan me përgjigjen e tij është e njëjtë me atë që do të kishte treguar çdo president tjetër amerikan, pasi është e papranueshme që një pjesë e territorit të jetë nën kërcënimin e sulmeve me raketa balistike,” tha zëdhënësi i qeverisë franceze.

Japonia tha se avionët e saj luftarakë dhe bombarduesit supersonikë amerikanë kishin kryer dje manovra të përbashkëta mbi qiejt pranë gadishullit korean.

Acarimi i situatës ka zgjuar shqetësime mes koreano-jugorëve:

“Duke qenë se së shpejti do të filloj shërbimin ushtarak dhe është shumë e mundur që kur të jem në radhët e ushtrisë do të duhet të përballem me këtë kërcënim, e shoh si shumë të frikshëm,” thotë një burrë.

“I dashuri im është ushtar, po shërben për mbrojtjen e vendit. Jam shumë e shqetësuar pasi kam një njeri të afërt që mund të ndikohet nga kjo situatë. Po ashtu si shtetase, sa herë shoh lajmet shqetësohem,” thotë një koreano-jugore.

Rusia ka bërë thirrje për një zgjidhje diplomatike për uljen e tensioneve. Sekretari i Shtetit Rex Tillerson tha gjatë udhëtimit për në Guam tha se udhëheqësi koreano-verior nuk duket se e kupton gjuhën e diplomacisë.

E dini se emigrantët shqiptarë themeluan xhaminë e parë në Amerikë?

Në rubrikën “Foto e Ditës”, Ambasada Amerikane ka sjellë një kuriozitet mbi historinë e shqiptarëve në Amerikë duke ngritur një pyetje për ndjekësit e saj në Facebook.

“Fabrikat Peppermell në qytetin e Biddeford, Maine. E dini se në 1915, myslimanët në Biddeford të Maine themeluan xhaminë e parë në Amerikë? Pjesa më e madhe e tyre ishin familje që punonin në fabrikat Pepermell. A e gjeni dot se nga cili vend i Europës vinin ata emigrantë?”, shkruan ambasada amerikane në Facebook duke postuar dhe foton më poshtë.

Përgjigjen po e japim ne.

Kanë qenë pikërisht emigrantët shqiptarë që themeluan xhaminë e parë në Amerikë.

Në vitet 1900 në Amerikë shqiptarët nisën të themelonin një sërë shoqërish patriotike.

Një ndër to ishte edhe “Shoqëria Muhemedane Kombëtare”, e njohur edhe si Shoqëria Fetare Muhamedane Shqiptare.

Kjo organizatë fetare dhe patriotike e myslimanëve shqiptarë, u themelua më 11 prill 1915, në qytetin Biddeford, Maine, SHBA.

Po në vitin 1915, në Maine u ndërtua xhamia e parë nga shqiptarët në SHBA, kurse në vitin 1919 në Connecticut u ndërtua xhamia e dytë.

SHBA: “E pavend” vizita e Putinit në Abkazi

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij në Abkazi

Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar vizitën e presidentit rus, Vladimir Putin në rajonin e shkëputur të Gjeorgjisë, Abkazi.

Sipas SHBA-së, një vizitë e tillë, e cila ka pasur qëllim shfaqjen e mbështetjes për separatistët në atë zonë, është cilësuar si e “pavend”.

Gjatë vitit 2008, Rusia dhe Gjeorgjia nisën një luftë të shkurtër, rajon të cilin e vizitoi Putin më 8 gusht, për të shënuar përvjetorin e fillimit të luftimeve.

Pas nisjes së konflikteve më 2008, Gjeorgjia dhe Rusia i kanë shkëputur marrëdhëniet e tyre diplomatike dhe Moska e ka njohur Abkazinë dhe rajonin tjetër të shkëputur nga Gjeorgjia, Osetinë Jugore, si shtete të pavarura.

Aktualisht, Rusia ka mijëra trupa në Abkazi dhe Osetinë Jugore, fakt të cilin Gjeorgjia e konsideron si okupim.

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, ka ofruar mbështetje të plotë amerikane për Gjeorgjinë, gjatë një udhëtimi i cili ka përfshirë edhe Tbilisin.

Departamenti i SHBA-së e ka përsëritur mbështetjen për këtë vend, derisa Putini nisi vizitën në Abkazi.

“Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Rusisë, të tërheqë forcat e saj nga pozicionet paraluftarake të vitit 2008 dhe të kthejë mbrapa njohjet si shtete për Gjergjinë dhe Osetinë Jugore”, ka thënë ky department, përmes një deklarate.

Trumpi i përgjigjet kërcënimit të Koresë së Veriut

Presidenti Trump tha të martën se “Koreja e Veriut do të bënte mirë të mos ndërmerrte më kërcënime ndaj Shteteve të Bashkuara. Ata do të hasnin në një zjarr dhe furi të tillë, që bota nuk e ka parë ndonjëherë.”

Duke iu refereruar udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Il, Presidenti Trump tha: “Ai është treguar tepër kërcënues, përtej një deklarate normale, dhe siç thashë, ata do të hasin në zjarr dhe furi, sinqerisht me një fuqi që kjo botë nuk e ka parë kurrë më parë.”

Presidenti i bëri komentet si reagim ndaj një njoftimi të gazetës “Washington Post” dhe televizionit NBC News, ku thuhej se zyrtarët amerikanë të zbulimit vlerësojnë që Koreja e Veriut ka prodhuar me sukses një mbushje bërthamore në përmasa të vogla, e cila mund të montohet në raketat e saj.

Nëse është e vërtetë, kjo nënkupton se Koreja e Veriut ka kaluar një prag të rëndësishëm në rrugën për t’u bërë një fuqi e plotë bërthamore.

Mediat, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikanë të zbulimit, thonë se analiza që arrin në një përfundim të tillë, është kryer muajin e kaluar nga Agjencia e Zbulimit të Mbrojtjes.

Zyrtarët e Agjencisë nuk pranuan të komentojnë. As zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar nuk ka komentuar.

Ndërkaq, ministria e mbrojtjes e Japonisë vlerësoi në një raport të martën se është e mundur që Koreja e Veriut të ketë arritur miniaturizimin e armëve bërthamore dhe të ketë prodhuar mbushje bërthamore.

TRUMP: DUHET TË JEMI MË TË ASHPËR NDAJ PHENIANIT

Presidenti Donald Trump dhe ambasadorja e tij në Kombet e Bashkuara thonë se sanksionet e reja kundër Koresë së Veriut janë të domosdoshme për të ndalur programin bërthamor të këtij vendi.

Në një koment në Twitter zoti Trump shkruante sot se: “pas shumë vitesh dështimi, vendet janë bërë bashkë për t’iu përgjigjur përfundimisht rreziqeve që paraqet Koreja e Veriut. Ne duhet të jemi të ashpër dhe vendimtarë,”shkruante presidenti amerikan.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Nikki Haley tha gjatë një interviste për rrjetin NBC se nuk është e sigurt nëse sanksionet do të funksionojnë. Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un, nuk ka shprehur interes për t’u larguar nga programi bërthamor dhe balistik dhe vendi i ka mbijetuar sanksioneve të vendosuara në të shkuarën.

Por ambasadorja Haley thotë se sanksionet e detyrojnë Kim Jung Unin të rishikojë “strategjinë e tij dhe të vendosë, duke i bërë pyetjen vetes, se nëse godet Shtetet e Bashkuara, a mendon se do të fitojë? .

Trumpi riposton një lajm të bazuar në burime anonime të zbulimit

Presidenti amerikan Donald Trump, ka sulmuar ata që rrjedhin dokumente të zbulimit nga Shtëpia e Bardhë, por të martën ishte ai që u dërgoi një lajm miliona ndjekësve në llogarinë e tij në median sociale, rreth raketave të Koresë së Veriut, që bazohej në burime anonime amerikane të zbulimit.

Duke dashur të theksojë rreziqet që paraqesin provat me raketa të Koresë së Veriut dhe programi i saj i armëve bërthamore, zoti Trump përdori llogarinë e tij në Twitter për të ripostuar një lajm të rrjetit “Fox News”. Sipas lajmit, disa ditë më parë agjencitë amerikane të spiunazhit kishin zbuluar se Pheniani kishte ngarkuar në një anije patrullimi dy raketa kundër anijeve.

“Fox” citonte për lajmin “zyrtarë në dijeni të informacioneve më të fundit të zbulimit në rajon”, ndonëse nuk dihej nëse informacioni ishte klasifikuar si sekret. Sipas rrjetit “Fox News” lidhur me lajmin po citohej “një zyrtar që kërkoi t’i ruhej anonimiteti pasi fjala ishte për informacione të ndjeshme”.

Shtëpia e Bardhë nuk bëri komentoi se përse zoti Trump e ripostoi në Twitter lajmin e shfaqur në programin “Fox & Friends”, të cilën ai e ndjek shpesh në mëngjes herët.

Që në ditët e para të tij në Shtëpinë e Bardhë presidenti Trump është ankuar shpesh për rrjedhjet e informacionit të klasifikuar nga agjencitë qeveritare, veçanërisht për lajmet që bazohen në informacion që ka rrjedhur dhe që ka hedhur hije mbi administratën e tij. Ai ka kërkuar që ata që e nxjerrin informacionin “të gjenden dhe ndiqen penalisht”.

Muajin e kaluar zoti Trump kritikoi prokurorin e përgjithshëm Jeff Sessions, si “shumë të dobët” lidhur me “rredhjen në media të informacionit të zbulimit”.

Por kur javën e kaluar prokurori i përgjithshëm njoftoi se Departamenti i Drejtësisë kishte rritur numrin e hetimeve lidhur me këtë çështje, presidenti Trump shkroi në Twitter: “pas shumë vitesh rrjedhje të informacionit në Uashington është mirë të shohësh prokurorin e përgjithshëm të ndërmarrë veprime. Sa më të ashpër, aq më mirë” shkruante ai.

SHBA, pas 16 vitesh vërtetohet identiteti i viktimës së sulmeve të 11 shtatorit

Bëhet fjalë për identifikimin e parë me sukses që nga viti 2015

NEW YORK – Pas 16 vitesh është vërtetuar identiteti i personit që humbi jetën në sulmet terroriste të Qendrës Tregtare Botërore në Nju Jork, të kryera më 11 shtator të vitit 2001.

Në njoftimin e Kabinetit për mjekësi gjyqësore në Nju Jork theksohet se me teknologjinë e re të analizave AND është vërtetuar se bëhet fjalë për një burrë, por me kërkesë të familjarëve të tij identiteti i tij nuk do të ndahet me opinionin.

Bëhet fjalë për identifikimin e parë me sukses që nga viti 2015.

Numri i viktimave të identifikuar të sulmit të kryer më 11 shtator rritet në 1.641.

Pjesëtarët e Al-Kaedës më 11 shtator të vitit 2001 në orët e mëngjesit kryen sulme terroriste në Nju Jork dhe Uashington me katër avionë të rrëmbyer pasagjerësh në fluturimet transkontinentale në brigjet lindore dhe perëndimore të SHBA-ve.

Dy avionë goditën kullat e Qendrës Tregtare Botërore në Nju Jork, i treti në Pentagon, ndërsa i katërti u rrëzua në Somerset County në Pennsylvania. aa

Toyota dhe Mazda do të ndërtojnë fabrikë në SHBA

Presidenti amerikan Trump tha se kompanitë japoneze për prodhimin e automjeteve Toyota dhe Mazda do të ndërtojnë një fabrikë prodhimi në vlerë prej 1,6 miliardë dollarësh

UASHINGTON – Presidenti i SHBA-ve Donald Trump bëri të ditur se kompanitë japoneze për prodhimin e automjeteve Toyota dhe Mazda do të ndërtojnë një fabrikë prodhimi në vlerë prej 1,6 miliardë dollarësh.

Në një publikim në llogarinë e tij në rrjetet sociale Trump njoftoi se Toyota dhe Mazda kanë vendosur që të ndërtojnë një fabrikë të përbashkët në SHBA.

“Toyota dhe Mazda do të ndërtojnë një fabrikë të re në SHBA prej 1,6 miliardë dollarësh dhe do të ofrojë punësim për 4 mijë amerikanë. Ky është një investim i madh për industrinë amerikane”, ka shkruar Trump, duke rikujtuar se në të njëjtën kohë edhe kompania teknologjike e Tajvanit ‘Foxconn’ do të bëjë investim në fabrikë prej 10 miliardë dollarësh.

Trump në një aktivitet të organizuar javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë njoftoi se kompania Foxconn, një nga furnizuesit kryesor të së cilës është gjiganti i teknologjisë Apple, planifikon të hapë fabrikë në provincën Wisconsin.

Fillimi i aktiviteteve planifikohet të bëhet në vitin 2021

Në një deklaratë të përbashkët nga Toyota dhe Mazda lidhur me çështjen, thuhet se fabrika e cila do të ketë kapacitetin e prodhimit të 300 mijë automjeteve në vit, do të ofrojë vende pune për 4 mijë persona.

Në deklaratë po ashtu bëhet e ditur se kjo fabrikë pritet të fillojë punën në vititn 2021, ku për tregun amerikan Mazda pritet të prodhojë automjetet e reja Crossover, kurse Toyota ta prodhojë modelin Corolla. AA

Shpërthim në një qendër myslimane në Minnesota

qendra myslimane në Minnesota

Një shpërthim ka dëmtuar një qendër myslimane në shtetin amerikan Minnesota.

Nuk është përcaktuar ende shkaku i shpërthimit, por menaxheri i xhamisë në qytetin Bloomington, Mohamed Omar, i tha Zërit të Amerikës se shpërthimi ishte një sulm, autori i të cilit dyshon se është një burrë që u pikas nga një besimtar në afërsi të xhamisë në kohën e shpërthimit.

Një paisje shpërthyese u hodh përmes dritares së zyrës ku zakonisht punon imami i xhamisë. Shpërthimi ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur rreth 20 besimtarë po kryenin faljen e mëngjesit.

Zoti Omar tha gjithashtu se qendra e tyre ka marrë telefonata kërcënuese në të kaluarën.

Pentagoni rekomandon dërgim të armatimit vdekjeprurës në Ukrainë

Pamje e një tanku amerikan

Departamenti amerikan i mbrojtjes ka rekomanduar dërgim të pakos së armatimit vdekjeprurës, që do të ishte një ndihmë ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 50 milionë dollarëve, ka raportuar mbrëmë rrjeti NBC.

Në këtë raport janë cituar tre zyrtarë të paemëruar, të cilët kanë thënë se rekomandimi është dërguar në Shtëpinë e Badhë për shqyrtim.

Një zëdhënës i Pentagonit ka refuzuar ta konfirmojë raportin, por i ka thënë NBC-së se “ne nuk kemi përjashtuar asgjë”.

Rusia e ka aneksuar rajonin Krime në Ukrainë në fillim të vitit 2014 dhe u ka dhënë ndihmë të fuqishme ushtarake, ekonomike dhe politike, militantëve separatistë në pjesën lindore të Ukrainës.

Gjatë vizitës në Kiev, muajin e kaluar, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka vlerësuar se Rusia i ka “mijëra” trupa në tokën ukrainase.

Megjithqë Rusia i ka hedhur poshtë pohimet për çfarëdo involvimi ushtarak në këtë konflikt, Gjykata Penale Ndërkombëtare në muajin nëntor të vitit të kaluar është shprehur se lufta atje është “një konflikt i armatosur ndërkombëtar ndërmjet Ukrainës dhe Federatës Ruse”.

Senati bllokon Presidentin Trump të bëjë emërime gjatë gushtit

Senati ka bllokuar presidentin Donald Trump të bëjë emërime, ndërsa ligjvënësit ndodhen me pushime në muajin gusht.

Senatorët kanë rënë dakord të zbatojnë një masë proceduriale të njohur si “pro forma session”, një seri takimesh të shkurtra, që teknikisht e mbajnë Senatin në punë.

Ata e ndërmorën këtë veprim pas kritikave të kohëve të fundit të presidentit Trump ndaj prokurorit të përgjithshëm Jeff Sessions, që nxiti spekulimet se mund ta shkarkojë atë, ndërsa senatorët ndodhen me pushime.

Zoti Trump është shprehur i pakënaqur me faktin që zoti Sessions hoqi dorë nga hetimi i Departamentit të Drejtësisë për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale.

Ndihmësit e zotit Sessions i kanë bërë të ditur Shtëpisë së Bardhë, se ai nuk ka ndërmend të largohet nga detyra e tij në Departamentin e Drejtësisë.

Trumpi u drejtohet përkrahësve pas njoftimeve për ngritjen e një jurie të madhe

Prokurori i Posaçëm Robert Mueller

Në një fjalim sfidues që mbajti të enjten vonë në Virxhinian Perëndimore, Presidenti Donald Trump i quajti “krejtësisht të trilluara” njoftimet që flasin për lidhjet e dyshuara të fushatës së tij me Rusinë. Në komentet përpara përkrahësve në Huntington ai tha se trillime të tilla i bëjnë kundërshtarët e tij të ndihen më mirë pas humbjes në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Pak orë përpara fjalimit, gazeta “The Wall Street Journal” njoftoi se Prokurori i Posaçëm Robert Mueller ka organizuar ngritjen e një jurie të madhe, duke zgjeruar dukshëm hetimet e tij lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.

“Ata po përpiqen t’ju mashtrojnë dhe t’ju heqin udhëheqjen që ju dëshironi, duke sajuar një histori të rreme,” tha zoti Trump mes brohoritjeve. “Kjo është poshtëruese për të gjithë ne.”

Lidhur me hetimet e zotit Mueller, zoti Trump tha: “Unë thjesht shpresoj që përfundimi që do të arrihet të jetë vërtet i ndershëm”.

Shih: ‘Zërat e dështuar në Uashington janë kundër lëvizjes sonë’, tha Presidenti Trump​

Presidenti shtoi se “ajo që duhet të hetojnë prokurorët janë të 33 mijë e-mailat e fshira nga Hillary Clinton”.

Kandidatja demokrate, Clinton, fitoi votën popullore, por republikani Trump i fitoi zgjedhjet presidenciale duke marrë më shumë vota elektorale.

Serioziteti i çështjes

Presidenti foli përpara mbështetësve në Virxhian Perëndimore pas komenteve të analistëve politikë në media, të cilët theksuan seriozitetin e hapit të ndërmarrë nga Prokurori i Posaçëm Mueller, me ngritjen prej tij të një jurie të madhe në Uashington.

“Nëse zoti Mueller vërtet ka ngritur një juri të madhe, kjo mund të sinjalizojë se ai ka prova të rëndësishme që mund të tregojnë se është kryer një vepër penale,” i tha Zërit të Amerikës profesor Anthony Clark Arend, i Universitetit Georgetown.

Agjencia e lajmeve Reuters njofton se juria e madhe tashmë ka lëshuar urdhër për konfiskim dokumentesh në lidhje me takimin e qershorit 2016 mes një avokateje ruse me djalin e Presidentit Trump, Donald Trump Jr dhe zyrtarë të tjerë të fushatës.

Donald Trump Jr. në Kullën Trump, 18 janar 2017.

Donald Trump Jr. në Kullën Trump, 18 janar 2017.

Njoftimet tregojnë se Trump Jr u entuziazmua nga ideja e një takimi të tillë kur avokatja ruse, me anë të një ndërmjetësi, i tha atij se zotëronte dëshmi inkriminuese për kandidaten demokrate Clinton.

Presidenti Donald Trump ka hedhur dyshime rreth akuzave se rusët u përpoqën të ndërhynin në zgjedhje, pavarësisht njoftimeve të zbulimit se Kremlini u përpoq t’i manipulonte zgjedhjet në favor të kandidatit Trump.

Rusia i ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje dhe zoti Trump ka mohuar vazhdimisht se ka patur ndonjë bashkëpunim të fshehtë. Ai e ka quajtur hetimin e zotit Mueller “një gjueti shtrigash” dhe në Uashington ka patur njoftime se presidenti mund të përpiqet ta shkarkojë prokurorin e posaçëm

Reagimi i Shtëpisë së Bardhë

Tani që sipas njoftimeve është krijuar një juri e madhe, ajo mund të kërkojë të konfiskojë informacione financiare të familjes Trump. Presidenti e ka paralajmëruar zotin Mueller të qëndrojë larg financave të tij.

Shih: ‘Nuk ka patur rusë në fushatën tonë,’ tha zoti Trump

Televizioni CNN njoftoi të enjten se hetimi i zotit Mueller e ka kaluar vijën e kuqe dhe është zgjeruar duke përfshirë ekzaminimin e “shkeljeve të mundshme financiare, disa prej të cilave nuk kanë lidhje me zgjedhjet e 2016-s”.

Këshilltari i posaçëm i zotit Trump, Ty Cobb, tha se nuk ka dijeni për ndonjë hetim me juri të madhe por theksoi: “Shtëpia e Bardhë favorizon çdo gjë që e shpejton përfundimin e punës së tij në mënyrë të drejtë … Shtëpia e Bardhë është e përkushtuar të bashkëpunojë plotësisht me z. Mueller”.

Të enjten mbrëma, duke ecur nga helikopteri presidencial për në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti nuk u përgjigj kur u pyet nga VOA nëse zoti Mueller kishte shkelur vijën e kuqe.

Zyra e zotit Mueller nuk ka komentuar rreth njoftimit të gazetës “Wall Street Journal”.

Robert Mueller, ish-drejtor i FBI-së, mori përsipër hetimet për Rusinë, kur Presidenti Trump shkarkoi drejtorin e tij të FBI-së James Comey në muajin maj pasi zoti Comey me sa duket refuzoi kërkesën e presidentit për t’u tërhequr nga hetimi.

Projektligj për të mbrojtur Prokurorin e Posaçëm

Të enjten, dy senatorë paraqitën një projektligj që e bën të vështirë shkarkimin e Prokurorit të Posaçëm.

Propozimi i demokratit Chris Coons dhe republikanit Thom Tillis kërkon miratimin e një ligji, ku të përcaktohet se një president mund ta shkarkojë Prokurorin e Posaçëm vetëm për sjellje të pahijshme, konflikt interesi, sëmundje të rëndë apo ndonjë shkak tjetër të fortë.

Sipas projektligjit, një komision prej tre gjyqtarësh do të përcaktonte nëse shkarkimi është i justifikuar.

Projektligji duket se është një përpjekje për të mbrojtur zotin Mueller nga çdo përpjekje e zotit Trump për ta shkarkuar.

Por disa analistë thonë se nëse Presidenti synon ta shkarkojë zotin Mueller, propozimi në fjalë mund ta nxisë zotin Trump që ta bëjë shkarkimin përpara se Senati të ketë rastin për ta hedhur në votë projektligjin.


Send this to a friend