Një stuhi dimërore ka goditur një zonë të gjerë të vendit, duke lënë qindra mijëra njerëz pa energji elektrike dhe duke paralizuar transportin
Borëpastruesit në veprim të martën në Cedar Rapids, në shtetin amerikan të Iowa-s
VOAL- Një stuhi dimërore u zhvendos nëpër pjesë të Shteteve të Bashkuara të martën në mbrëmje, duke shkaktuar tornado dhe stuhi në veri. Qindra mijëra shtëpi janë pa energji elektrike. Sipas parashikimeve të Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS), agjencisë meteorologjike amerikane, në Shtetet e Bashkuara qendrore dhe lindore priten reshje të dendura shiu të cilat mund të shkaktojnë përmbytje, erëra me stuhi deri në 80 km/h dhe stuhi.
“Mos e nënvlerësoni stuhinë,” paralajmëroi guvernatori i Nju Xhersit, Phil Murphy, duke e përshkruar stuhinë si “të pazakontë”. Ai po ashtu ka thënë se moti pritet të përkeqësohet në orët në vijim, deri në mëngjesin e së mërkurës, me kulme ngricash gjatë natës. Nju Jorku gjithashtu u përgatit për të marrë shi të dendur të shoqëruar nga erëra të fuqishme të martën vonë deri në mëngjesin e së mërkurës.
Banorët duhet të “marrin masat e nevojshme paraprake për të qëndruar të sigurt gjatë kësaj ngjarjeje moti dhe të shmangin daljen jashtë në kulmin e stuhisë”, tha kryetari i Nju Jorkut Eric Adams.rsi-eb
Ndërsa zoti Donald Trump ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, nga pyetjet që u drejtuan avokatëve të të dyja palëve, tre anëtarët e Gjykatës së Apelit në Uashington dukeshin tejet skeptikë nëse ish presidenti gëzon imunitet nga akuzat për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Tre gjyqtarët, dy prej të cilëve të emëruar nga Presidenti Biden dhe njeri nga Presidenti Bush, po ashtu ngritën mëdyshje nëse ata kanë fuqinë ligjore për të marrë në shqyrtim apelimin e çështjes në këtë pikë të procesit, duke lënë të hapur mundësinë që kërkesa e zotit Trump të rrëzohet.
Në 1 dhjetor, gjykatësja e shkallës së parë, Tanya Chutkan u shpreh qartë se ish presidenti nuk gëzonte imunitet.
Mund të duhen javë ose muaj që Gjykata e Apelit të marrë një vendim, që ka shumë të ngjarë të apelohet në Gjykatën e Lartë.
Gjykata e Lartë po shqyrton ndërkohë një tjetër rast për ish presidentin, atë të vendimit të shtetit të Kolorados për ta hequr zotin Trump nga fleta e votimit nën argumentin se ka marrë pjesë në kryengritjen e 6 janarit, siç parashikohet në nenin e 14 të kushtetutës.
Ish presidenti Trump, ishte i pranishëm në seancën e sotme në Uashington. Avokatët e tij kërkuan pushimin e çështjes me arsyetimin se ish-presidentët nuk mund të përballen me akuza penale për veprime që lidhen me përgjegjësitë e tyre zyrtare.
Por gjyqtarët reaguan me skepticizëm mbi këtë argument. Një nga gjykatëset, Florence Pan, e pyeti avokatin e zotit Trump, se “ç’do të ndodhte nëse një president shiste sekrete ushtarake, apo nëse urdhëronte vrasjen e një rivali polik? A nuk duhet gjykuar ai për këto”?
Avokati John Sauer u përgjigj se akuza ndaj presidentit mund të ngrihej vetëm në rast se më parë Dhoma e Përfaqësuesve do të kishte ngritur akuza ndaj tij dhe Senati, organi që zhvillon gjyqin ndaj një presidenti, do ta shpallte atë fajtor.
Por sipas përfaqësueve të Departamentit të Drejtësisë, dhënia e imunitetit për zotin Trump do t’i hapte udhë një precedenti që presidentët e ardhshëm të kryenin krime. “Presidenti ka një rol unik kushtetues, por ai nuk është mbi ligjin”, tha James Pearce avokat i Deparamentit të Drejtësisë.
Sipas prokurori të posaçëm, Jack Smith, që drejton hetimet ndaj zotit Trump, ky i fundit ka vepruar në rolin e një kandidati politik dhe jo në rolin e një presidenti, kur ushtroi trysni mbi zyrtarët zgjedhorë për të përmbysur humbjen dhe kur nxiti mbështetësit e tij që t’i drejtoheshin Kapitolit në 6 janar të vitit 2021.
Akuza për përpjekje për të përmbysyr rezultatin e zgjedhjeve është një nga 4 akuzat penale me të cilat përballet ish presidenti Donald Trump ndërsa garon për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Prej kohësh, Departamenti i Drejtësisë ka mbajtur qëndrimin se presidentët nuk mund të ndiqen penalisht ndërsa janë në detyrë dhe për vendimet e tyre zyrtare.
Zoti Trump, i pari ish predent që po ndiqet penalisht, përballet me 91 akuza, në 4 çështje të ndryshme. Avokati i zotit Trump i tha tre gjykatësve se vazhdimi i procesit ndaj zotit Trump do t’i hapte udhë një cikli hakmarrjeje pas çdo procesi zgjedhor dhe do të “hapte një kuti pandore nga e cila vendi ndoshta nuk do mund të rimëkëmbej më.
Gjykata e Apelit në Uashington po dëgjon argumentet e palëve nëse ish presidenti Donald Trump gëzon apo jo imunitet për t’u ndjekur penalisht mbi akuzat për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Ish presidenti Donald Trump ka mbërritur në gjykatë. Kjo është një nga 4 hetimet penale me të cilat ai përballet ndërsa garon për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Avokatët kanë kërkuar pushimin e çështjes ndaj tij me arsyetimin se ish-presidentët nuk mund të përballen me akuza penale për veprime që lidhen me përgjegjësitë e tyre zyrtare dhe se gjykatat nuk kanë autoritet për të shqyrtuar aktet e një presidenti.
Por prokurori i posaçëm, Jack Smith, që drejton hetimet ndaj zotit Trump, ka argumentuar se presidentët nuk gëzojnë imunitet të plotë dhe se veprimet për të cilat është akuzuar ish presidenti, nuk ishin të lidhura me funksionet e tij shtetërore.
Sipas prokurorit Smith, zoti Trump ka vepruar në rolin e një kandidati politik dhe jo në rolin e një presidenti, kur ushtroi trysni mbi zyrtarët zgjedhorë për të përmbysur humbjen e tij ndaj zotit Biden dhe kur nxiti mbështetësit e tij që t’i drejtoheshin Kapitolit në 6 janar të vitit 2021.
Prokurorët thonë se nëse do të pranoheshin argumentet e zotit Trump se ai gëzon imunitet, atëherë, kjo do t’i hapte udhë mundësisë që në të ardhmen një president të mund t’i shpëtonte ndjekjes penale për vepra si marrje rrushfeti në këmbim të një kontrate qeveritare; apo udhëzimin e shefit të FBI-së për të manipuluar prova në dëm të kundërshtarëve politike, apo për shitjen e sekreteve bërthamore tek rivalët e huaj.
Në parashtrimet e tyre, ndër të tjera, avokatët e ish presidentit Trump kanë cituar një dispozitë kushtetese mbi bazën e të cilës një person nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtën akuzë. Sipas tyre, çështja përmban akuza të ngjashme, me ato që ngriti ndaj zotit Trump Dhoma e Përfaqesuesve, por Senati, organi që zhvillon gjyqin ndaj një presidenti, e shpalli atë të pafajshëm.
Mitch McConnell, kryetari i atëphershëm i shumicës republikane në Senat, u shpreh gjatë gjyqit se për akuzat ndaj ish presidentit u takonte gjykatave të merrnin vendim.
Disa ekspertë ligjore argumentojë se zoti Trump po tenton që përmes apelimeve të vonojë proceset gjyqësore në pritje të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Nëse zoti Trump rizgjidhet në Shtëpinë e Bardhë më 5 nëntor, ai mund të përdorë kompetencat e presidentit për të ndërprerë proceset gjyqësore dhe madje edhe të falë veten ndaj çdo krimi federal.
Në Apelin e Uashingtonit, çështja e imunitetit të zotit Trump, po shqyrtohet nga tre gjyqtarë, dy të emëruar nga zoti Biden dhe një nga ish presidenti Bush. Nuk dihet se kur ata do të marrin vendim, megjithatë gjasat janë që kjo çështje të përfundojë për gjykim në Gjykatën e Lartë.
Zoti Trump ka lënë të kuptohet se do ta shfrytëzojë paraqitjen e sotme në gjykatë për të portetizuar veten si viktimë të përdorimit politik të sistemit të drejtësisë. Deri më tani nuk ka patur asnjë fakt që të tregojë ndikim të Presidentit Joe Biden në çështjen ndaj paraardhësit të tij.
Ky është një rast i paprecedentë kur një president akuzohet për përmbysje të rezultatit të zgjedhjeve dhe një terren i ri për organet gjyqësore, që duhet ti japin përgjigje pyetjeve nëse një ish president mund të hetohet për aktet e ndërmarra gjatë drejtimit të Shtëpisë së Bardhë.
Gjykata e Lartë tha të premten se do të përcaktojë nëse emri i presidentit Donald Trump mund të përjashtohet ose jo nga fletët e votimit për shkak të përpjekjeve të tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, gjë që e bën gjykatën faktor në fushatën presidenciale të vitit 2024.
Anëtarët e gjykatës e pranuan se është e nevojshme që të merret një vendim i shpejtë, pasi zgjedhësit do të fillojnë së shpejti të hedhin votat presidenciale në zgjedhjet paraprake në të gjithë vendin.
Gjykata ra dakord të shqyrtonte një apel nga ana e zotit Trump ndaj një vendimi në shtetin e Kolorados që u mor për shkak të rolit të tij në ngjarjet që arritën pikën kulmore me sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit. Argumentat për këtë çështje do të paraqiten në fillim të shkurtit.
Është hera e parë që gjykata do të japë një interpretim për një dispozitë të Amendamentit të 14-të të Kushtetutës amerikan sipas së cilës u ndalohet disa zyrtarëve që “angazhohen në kryengritje” të mbajnë poste publike.
Amendamenti u miratua në vitin 1868, pas Luftës Civile dhe është përdorur aq rrallë sa gjykata më e lartë e vendit nuk ka pasur asnjë rast më parë për të shprehet për të.
Gjykata e Lartë e Kolorados, me një votim 4-3, vendosi muajin e kaluar se zoti Trump nuk duhet të jetë pjesë e zgjedhjeve paraprake republikane.
Ishte hera e parë që Amendamenti i 14-të u përdor si bazë për të përjashtuar një kandidat presidencial nga gara.
Ish-presidenti Trump po apelon veçmas në një gjykatë shtetërore një vendim të sekretares demokrate të shtetit Mein, Shenna Bellows, sipas së cilit ai nuk duhej të përfshihej në fletët e votimit të atij shteti për shkak të rolit në sulmin ndaj Kapitolit.
Vendimet e Gjykatës së Lartë të Kolorados dhe Sekretares së Shtetit në Mein janë të pezulluara deri kur të përfundojnë proceset e apelit.
Vendimi i gjykatës së lartë për të ndërhyrë, gjë që u kërkua nga të dyja palët, është përfshirja më e drejtpërdrejtë në zgjedhjet presidenciale e saj që nga zgjedhjet e vitit 2000 mes kandidatit të atëhershëm republikan George W. Bush dhe ish-nënpresidentit demokrat Al Gore, kur një shumicë konservatore e gjykatës vendosi efektivisht rezultatin e zgjedhjeve në favor të republikanit Bush.
Tre nga nëntë anëtarët aktualë të Gjykatës së Lartë janë emëruar nga zoti Trump, megjithëse ata kanë vendosur disa herë kundër tij në padi të lidhura me zgjedhjet e vitit 2020 dhe përpjekjet e tij për të mbajtur dokumentet që lidhen me 6 janarin dhe që të mos i dorëzonte dokumentate e taksave në Komisionet e Kongresit .
Nga ana tjetër, anëtarët konservatorë të gjykatës Amy Coney Barrett, Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh kanë qenë pjesë e shumicës së vendimeve të marra nga konservatorët që rrëzuan të drejtën kushtetuese për abortin dhe zgjeruan të drejtat për armëmbajtje.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë John Kirby i tha Zërit të Amerikës, se qasja e Uashingtonit ndaj Evropës e rajonit të Ballkanit nuk ka ndryshuar. Këto komente zoti Kirky, i bëri në përgjigje të një pyetje si reagim, mbi një artikull redaksional të gazetës ‘Washington Post’, ku thuhet se Presidenti Biden ndoqi politikën e “mbështetjes së Presidentit autoritar serb Aleksandar Vuçiç në përpjekje për ta larguar atë nga Rusia”.
“Ky qëndrim duket gjithnjë e më shumë si një dështim”, thotë “Washington Post”.
Zoti Kirby nuk bëri komente të mëtejshme.
Kohët e fundit, pas zgjedhjeve të parakohshme, Serbia është përfshirë nga një valë protestash të opozitës, e cila akuzon qeverinë për parregullsi masive dhe manipulime në procesin e 17 dhjetorit.
Në artikullin redaksional të ‘Washington Post-it” thuhet se zoti Vuçiç dhe Kryeministrja Ana Brnabiq “akuzuan perëndimin për protestat” dhe i quajtën ato “një përpjekje për të rrëzuar qeverinë” .
“Duke nxitur pakënaqësi kundër Perëndimit e duke u rreshtuar me Moskën, zoti Vuçiç fiton pikë para grupeve nacionaliste, ndërsa kundërshtarët e tij demokratë, i etiketon si shërbëtorë të interesave të huaja”, vazhdon më tej editoriali.
‘Washingtoni Post’ thotë se zoti Vuçiç në takimeve private i siguron vazhdimisht zyrtarët perëndimorë se ai “po bën përpjekjet më të mira të mundshme që kombi i tij ‘i pabindur’ të jetë pjesë e Bashkimin Evropian dhe se ai është partneri i tyre, i vetëm dhe i besueshëm”.
Sipas ‘Washington Post-it’ administrata Biden e bazoi politikën e saj paqtuese, tek garancitë që zoti Vuçiç u ka dhënë privatisht.
“Edhe pse disa kriza të rrezikshme gjatë vitit të kaluar në Kosovën fqinje kanë pasur gjurmë gishtash serbe, Shtetet e Bashkuara kanë shmangur fajësimin e qartë të njërës palë, duke preferuar të bëjnë thirrje për qetësi”, thekson artikulli.
Senati Amerikan ka kthyer kandidaturën e propozuar nga Joe Biden, për ambasadorin e ri në Shqipëri.
Mësohet se David Kostelancik nuk mund të jetë ambasador në vendin tonë. Kandidatura e ambasadorit të refuzuar mund të riparaqitet, e në këtë rast ndryshon procedura.
Kostelancik u emërua nga Biden si ambasador në Shqipëri më 24 janar 2023, ndërsa më parë ka shërbyer më parë si diplomat në Shqipëri.bw
UASHINGTON – Për të dytën herë këtë muaj, administrata e Presidentit Biden anashkalon Kongresin duke miratuar shitje emergjence armësh për Izraelin, ndërsa Izraeli vazhdon me luftën kundër Hamasit në Gazë mes kritikave të shtuara ndërkombëtare.
Departamenti i Shtetit tha të premten se Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka njoftuar Kongresin se ka marrë një vendim të dytë emergjence për 147.5 milionë dollarë shitje paisjesh ushtarake që nevojiten për të futur në funksionim predhat 155 mm që Izraeli pati blerë më herët.
“Për shkak të urgjencës së nevojave të mbrojtjes së Izraelit, sekretari njoftoi Kongresin se ka ushtruar autoritetin e deleguar për të vendosur se ekziston një emergjencë, për shkak të së cilës është i nevojshëm miratimi i menjëhershëm i transferimit (të paisjeve). Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për sigurinë e Izraelit, dhe është jetike për interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara që Izraeli të jetë në gjendje të mbrohet nga rreziqet që i kanosen”, tha Departamenti i Shtetit.
Vendimi i emergjencës do të thotë se shitja e armatimit do të anashkalojë shqyrtimin që bëhet nga Kongresi për shitjet e armatimeve vendeve të tjera. Vendime të tilla janë të rralla, por jo të paprecedenta, kur administratat shohin një nevojë urgjente për dërgim armësh për të cilat nuk mund të pritet për miratimin e ligjvënësve.
Sekretari Blinken mori një vendim të ngjashëm në 9 dhjetor, duke miratuar shitje për Izraelin të 14 mijë predhave për tanket, me vlerë mbi 106 milionë dollarë.
Të dyja vendimet u morën pasi kërkesa e Presidentit Joe Biden për një paketë ndihme prej gati 106 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe nevoja të tjera të sigurisë kombëtare mbetet e bllokuar në Kongres, e përfshirë në një debat mbi politikën e emigracionit dhe sigurinë kufitare të Shteteve të Bashkuara. Disa ligjvënës demokratë kanë thënë se ndihma e propozuar amerikane prej 14.3 miliardë dollarësh për vendin aleat në Lindjen e Mesme duhet të kushtëzohet me hapa konkretë nga qeveria e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të reduktuar viktimat civile në Gazë gjatë luftimeve me Hamasin.
Departamenti i Shtetit u përpoq të kundërshtonte kritikat e mundshme për shitjen e armatimit për arsye të të drejtave të njeriut duke thënë se ishte në kontakt të vazhdueshëm me Izraelin për të theksuar rëndësinë e minimizimit të viktimave në radhët e civilëve, të cilat janë rritur që kur Izraeli filloi kundërpërgjigjen ndaj sulmeve të Hamasit në Izrael më 7 tetor.
“Vazhdojmë t’i theksojmë me forcë qeverisë së Izraelit se ata jo vetëm që duhet të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar, por gjithashtu të ndërmarrin çdo hap të mundshëm për të parandaluar dëmtimin e civilëve”, thuhet në deklaratë.
“Hamasi fshihet pas civilëve dhe është ngulitur në radhët e popullatës civile, por kjo nuk e pakëson përgjegjësinë dhe detyrimin strategjik të Izraelit për të bërë dallimin mes civilëve dhe terroristëve të Hamasit ndërsa kryen operacionet e tij ushtarake”, tha Departamenti i Shtetit. “Kjo lloj fushate mund të fitohet vetëm duke mbrojtur civilët”.
Anashkalimi i Kongresit me vendimet urgjente për shitjet e armëve është një hap i pazakontë që në të kaluarën ka hasur në rezistencë nga ligjvënësit, të cilët normalisht kanë një periudhë kohore për të shqyrtuar transferimet e propozuara të armëve dhe, në disa raste, për t’i bllokuar ato.
Në maj 2019, Sekretari i atëhershëm i Shtetit, Mike Pompeo, mori një vendim urgjent për një shitje armësh prej 8.1 miliardë dollarësh për Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordaninë, pasi u bë e qartë se administrata e ish-Presidentit Trump do të vështirësohej të tejkalonte shqetësimet e ligjvënësve për luftën e udhëhequr nga sauditët dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në Jemen.
Zoti Pompeo u kritikua ashpër për vendimin, për të cilin disa besonin se mund të kishte shkelur ligjin, pasi shumë nga armët e përfshira nuk ishin prodhuar ende dhe nuk mund të dorëzoheshin me urgjencë. Por, një hetim i brendshëm konkludoi se ai nuk pati bërë ndonjë shkelje.
Të paktën katër administrata amerikane e kanë ushtruar këtë lloj autoriteti që nga viti 1979. Administrata e ish-Presidentit George H.W. Bush e përdori këtë autoritet gjatë Luftës së Gjirit për të dërguar me shpejtësi armatim në Arabinë Saudite.
Të enjten Sekretarja e Shtetit të Meinit Shenna Bellows, një demokrate, vendosi të heqë ish-Presidentin Donald Trump nga fleta e votimit për zgjedhjet paraprake presidenciale, në këtë shtet, bazuar në pikën tre të nenin 14 të Kushtetutës, që trajton rastet se kur një zyrtar nuk kualifikohet për të garuar për një post zyrtar. Me këtë vendim ajo bëhet zyrtarja e parë kryesore që administron ceshtje zgjedhore, e cila ndërmerr nje veprim të njëanshëm, e me pasoja të mundshme në garën e përgjithshme presidenciale.
Vendimi mund të apelohet në Gjykatën e Lartë të shtetit dhe zonja Bellows e pezulloi atë deri në një vendim të gjykatës mbi këtë çështje.
Zonja Bellows tha se zoti Trump nuk mund të kandidonte sërish për president, për shkak të rolit të tij në sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit, duke përmendur pikën tre të amendamentit 14, që ndalon mbajtjen e një posti publik nga një zyrtar që është betuar se do ta mbështesë Kushtetutën dhe më pas është “angazhuar në kryengritje” kundër saj.
Zonja Bellows e mori vendimin pasi disa banorë të shtetit, përfshirë një grup dypartiak ish-ligjvënësish, sfiduan përfshirjen e zotit Trump në fletën e votimit.
Zyrtarët e fushatës së zotit Trump thanë se do të depozitojnë së shpejti një ankim ndaj këtij vendimi që e quajtën “mizor”.
Avokatët e zotit Trump i kanë kundërshtuar qëndrimet se ish-presidenti u përfshi në rebelim më 6 janar të vitit 2021 dhe kanë argumentuar se komentet e tij ndaj mbështetësve në ditën e sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit, mbroheshin nga e drejta e lirisë së shprehjes.
Vendimi i zonjës Bellows do të zbatohet vetëm për zgjedhjet paraprake të marsit në Mein, por mund të ndikojë në statusin e zotit Trump për zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit. Vendimi ka të ngjarë të rrisë trysninë mbi Gjykatën e Lartë të vendit për t’i dhënë një përgjigje pikëpyetjeve të ngritura nëse zoti Trump kualifikohet për të garuar në mbarë vendin, bazuar në pikën tre të Amendamentit të 14 të Kushtetutës.
Tre nga 9 anëtarët e Gjykatës së Lartë, shumica e të cilëve me pikëpamje konservatore jane emëruar nga zoti Trump.
Ndaj ish-Presidentit Trump janë ngritur padi si në nivel federal ashtu edhe në shtetin e Xhorxhias lidhur me rolin e tij në përpjekjen për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, por ndaj tij nuk janë ngritur akuza për kryengritje apo rebelim në lidhje me sulmin e 6 janarit. Ai kryeson garën brenda partisë për të fituar emërimin zyrtar si kandidat për president, me një diferencë të madhe ndaj kandidatëve të tjerë republikanë.
Pak kohë me parë, më 19 dhjetor, Gjykata e Lartë e Kolorados e skualifikoi zotin Trump nga zgjedhjet paraprake të shtetit, duke e bërë atë kandidatin e parë në historinë e vendit që konsiderohet i papërshtatshëm për të garuar për president për shkak të asaj që gjykata e cilësoi si përfshirje e tij në kryengritje.
Vendimi 4 me 3 i Gjykatës së Lartë të Kolorados nuk do të hyj në fuqi deri më 4 janar, një ditë para printimit të fletëve të votimit për zgjedhjet paraprake në këtë shtetet, ose derisa Gjykata e Lartë të marrë një vendim.
Zoti Trump ka thënë se do ta apelojë vendimin e Kolorados në Gjykatën e Lartë dhe e ka kritikuar atë duke e konsideruar vendimin si “jodemokratik”. Të mërkurën Partia Republikane e Kolorados paraqiti ankesën e saj në Gjykatën e Lartë.
Grupet aktiviste dhe disa votues kundër zotit Trump kanë ngritur padi në disa shtete bazuar në pikën tre të Amendamentit të 14-të, i cili u miratua pas Luftës Civile për të mbajtur jashtë posteve qeveritare mbështetësit e ish-konfederatës.
Përpjekje të ngjashme për të skualifikuar zotin Trump në shtete të tjera janë hedhur poshtë nga Gjykata e Lartë në Miçigan, një shtet fushëbeteje për zgjedhjet e përgjithshme, që nuk pranoi të mërkurën të dëgjonte një akimim, nëpërmjet të cilit kërkohej skualifikim i zotit Trump nga zgjedhjet paraprake presidenciale të këtij shteti.
Meini vlerësohet nga organizatat jopartike që monitorojnë zgjedhjet si një shtet demokrat, që do të thotë se Presidenti Joe Biden ka gjasa të fitojë garën në këtë shtet. Por zoti Trump fitoi një elektor në Mein si në zgjedhjet e vitit 2016 ashtu edhe në 2020.
Një kandidati për president i duhet të fitojnë 270 vota të Kolegjit Zgjedhor për të fituar garën për president.
Ish-ambasador i SHBA-së në Serb, Micheal Kirby ka deklaruar se qytetarët që protestuan në Beograd të dielën dukeshin si një masë e pakënaqur, por jo si një forcë e gatshme për të rrëzuar çdo qeveri.
“Kam parë zhgënjimin e qytetarëve. Nuk e di nëse dhuna ishte e sajuar – por duket se mes protestuesve kishte nga ata që donin të merrnin diçka më shumë prej saj”, ka theksuar Kirby.
Ai ka deklaruar se autoritetet serbe informacionet që marrin nga Rusia e marrin si të vërtetë të pamohueshme.
“Jam në dijeni se ambasadori rus dhe presidenti Vuçiq kanë biseduar. Rusët janë specialistë në përhapjen e dezinformatave dhe përmbajtjeve të rreme. Rebelët gjatë protestës mund të ishin kundërshtarë të parregullsive zgjedhore që ndodhën, por nuk përjashtohet që ata të ishin agjitatorë të cilët ishin futur nga Partia Progresive Serbe apo rusët”, ka theksuar ish diplomati amerikan për Zërin e Amerikës.
Gjykata e Lartë tha të premten se nuk do ta shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar kërkesën e prokurorit të posaçëm Jack Smith për të përcaktuar nëse ish-presidenti Donald Trump mund të ndiqet penalisht për veprimet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Vendimi është një fitore për zotin Trump dhe avokatët e tij, të cilët kanë kërkuar vazhdimisht ta vonojnë këtë dhe çështje të tjera penale kundër tij, ndërsa ai përpiqet rimarrë Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.
Me këtë veprim gjykata më e lartë e vendit shmang një vendim të shpejtë që me siguri do t’i kishte hedhur poshtë pretendimet e ish-presidentit Trump për imunitet duke e shtyrë çështjen drejt një gjyqi të planifikuar të fillonte më 4 mars.
Çështja tani do të përcaktohet nga Gjykata e Apelit për Qarkun kryeqytetit Washington, e cila ka sinjalizuar se do të veprojë me shpejtësi për të vendosur çështjen.
Prokurori i posaçëm Jack Smith kishte paralajmëruar se edhe një vendim i shpejtë i apelit mund të mos ta çonte çështjen në kohë për shqyrtim dhe vendim në Gjykatën e Lartë përpara përfundimit të sezonit para pushimeve verore.
Prokurori Smith i kishte kërkuar me këmbëngulje Gjykatës së Lartë të ndërhynte, duke përmendur si argument interesin e rëndësishëm publik për një zgjidhje të shpejtë të çështjes.
Kërkesa për ta kapërcyer gjykatën e apelit, gjë që vetë prokurori Smith e pranoi se ishte “e jashtëzakonshme”, nxirrte në pah shqetësimet e prokurorëve se lufta ligjore mbi këtë çështje mund ta shtyjë fillimin e gjyqit të zotit Trump përtej zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.
Gjykata e hodhi poshtë kërkesën për veprim të shpejtë me një përgjigje prej një fjalie lëshuar pasditen e së premtes. Sipas praktikës së gjykatës, anëtarët e saj nuk dhanë asnjë shpjegim për vendimin. Departamenti i Drejtësisë nuk pranoi të komentojë.
Në një deklaratë për përkrahësit e tij zoti Trump e cilësoi fitore vendimin e Gjykatës së Lartë, por shtoi se “do të më duhet të luftoj për të drejtat e mia në Gjykatën e Apelit”.
Prokurorët e kanë akuzuar zotin Trump, kandidatin kryesor presidencial republikan për zgjedhjet e vitit 2024, për përpjekje për të penguar punën e Kongresit dhe për komplot për të përmbysur fitoren e presidentit demokrat Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020.
Ish-presidenti Trump ka argumentuar se çështja duhet të hidhet poshtë me arsyetimin se ish-presidentët nuk mund të përballen me akuza penale për veprime që lidhen me përgjegjësitë e tyre zyrtare.
Gjykatësja Tanya Chutkan e hodhi poshtë atë pretendim më 1 dhjetor, duke bërë që zoti Trump ta apelojë çështjen në Gjykatën e Apelit të Uashingtonit. Procesi i apelit e pezullon përkohësisht gjyqin e tij, aktualisht të caktuar për në mars.
Nëse zoti Trump rizgjidhet në Shtëpinë e Bardhë më 5 nëntor, ai mund të kërkojë të lëshojë falje për veten e tij ndaj çdo krimi federal. Avokatët e zotit Trump e kundërshtuan kërkesën e prokurorit Smith, duke thënë se ajo ishte një përpjekje e pamatur për të përshpejtuar çështjen.
Tre nga nëntë anëtarët e Gjykatës së Lartë janë emëruar nga zoti Trump, duke konsoliduar një gjykatë me shumicë konservatore 6-3.
Ish-presidenti Donald Trump u kërkoi dy zyrtarëve zgjedhorë të Miçiganit që të mos certifikojnë fitoren e demokratit Joe Biden në atë shtet pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, duke i telefonuar ata personalisht për t’u bërë presion, një taktikë e ngjashme me atë që ai përdori në Xhoxhia, njofton gazeta Detroit News.
Në një telefonatë më 17 nëntor 2020, presidenti i atëhershëm u kërkoi dy anëtarëve republikanë të Bordit të zgjedhjeve të Qarkut Wayne që të mos nënshkruanin certifikimin e zgjedhjeve në atë shtet, duke thënë se do të dukeshin “shumë keq” nëse e bënin një gjë të tillë dhe se duhet “të luftonin për vendin”, sipas bisedës së inçizuar që është siguruar nga organi i medias në Miçigan.
Wayne është qarku më i populluar i shtetit qendror të Shteteve të Bashkuara dhe përfshin Detroitin, një qytet demokrat me një popullsi me shumicë të konsiderueshme afrikano-amerikane.
Në audio, zoti Trump dëgjohet të thotë se republikanëve “iu vodhën këto zgjedhje” dhe “të gjithë e dinë se Detroiti është tërësisht i korruptuar “, sipas artikullit të publikuar të enjten.
Lajmi për bisedën e regjistruar vjen ndërsa zoti Trump, kandidati kryesor për emërimin republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, përballet me akuza penale federale dhe shtetërore mbi akuzat se ai bëri përpjekje të përmbyste zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, të cilat arritën pikën me sulmin e dhunshëm ndaj Kongresit më 6 janar.
Ish-presidenti Trump ka mohuar të ketë bërë shkelje dhe i ka hedhur poshtë akuzat duke i quajtur gjueti shtrigash që synon të pengojë fushatën e tij, ndërsa vazhdon të përhapë pretendime të rreme për manipulime të gjera në votimet e vitit 2020.
“Trump i ndërmori veprimet në funksion të detyrës si President i Shteteve të Bashkuara për t’i respektuar me besnikëri ligjet dhe për të garantuar integritetin e zgjedhjeve, përfshirë hetimin për manipulime në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020”, tha zëdhënësi i fushatës së zotit Trump, Steven Cheung, i pyetur në lidhje me njoftimet për Miçiganin.
Në Xhorxhia, zoti Trump përballet me akuza për përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të cilat i fitoi presideti Biden, përfshirë një telefonatë personale me sekretarin republikan të shtetit të Xhorxhias për të “gjetur” votat e mjaftueshme për të nxjerrë atë fitues, gjë që zyrtari nuk pranoi ta bënte.
Përfaqësues të kryetares së Komitetit Kombëtar Republikan, Ronna McDaniel, e cila njoftohet se ishte e pranishme në telefonatën e Miçiganit, nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.
Zonja McDaniel i tha gazetës Detroit News se ajo i qëndronte kërkesës drejtuar bordit të qarkut “së kishte prova të shumta që e bënin një rishikim të nevojshëm”. Si zonja McDaniel ashtu edhe ish-presidenti Trump ofruan që të merrnin avokatë për anëtarët e bordit, thuhet në njoftim.
Përpjekjet e ish-Presidentit Donald Trump për të rifituar Shtëpinë e Bardhë janë vënë në rrezik nga dy fjali që i janë shtuar Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara 155 vjet më parë.
Gjykata e Lartë e Kolorados mori një vendim historik të martën që e ndalon zotin Trump që të përfshihet në fletën e votimit në atë shtetet në bazë të pikës 3 të Amendamentit të 14. Kjo shtesë ligjore e ndalon mbajtjen e një posti publik nga një zyrtar që është betuar se do ta mbështesë Kushtetutën dhe më pas është “angazhuar në kryengritje” kundër saj.
Kjo është hera e parë në histori e përdorjes së kësaj dispozite për të ndaluar dikë që të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë. Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara do të ketë fjalën e fundit nëse vendimi i gjykatës së Kolorados qëndron.
Nëse ndodh, gjë që shumë ekspertë ligjorë thonë se ka gjasa të pakta, kjo do t’i jepte fund fushatës së zotit Trump, sepse vendimi i Gjykatës së Lartë do të zbatohej në të gjitha shtetet.
Po ashtu, kjo hap shtegun e një bote të re lufte politike, pasi politikanët në të ardhmen do të shfrytëzonin vendimet gjyqësore për të skualifikuar rivalët e tyre në bazë të së njëjtës dispozitë.
Madje, disa konservatorë kanë menduar ta përdorin dispozitën kundër Nënpresidentes Kamala Harris, e cila mblodhi para për lirimin me kusht nga burgu të të ndaluarve gjatë dhunës pas vrasjes së zotit George Floyd në Minneapolis. Ata thanë se edhe kjo duhet të konsiderohet si një “kryengritje” kundër Kushtetutës.
ÇFARË NDIKIMI DO TË KETË VENDIMI?
Të vetëdijshëm se çështja kishte shumë gjasa të shkonte në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, vendimi 4-3 i Gjykatës së Lartë të Kolorados nuk do të hyjë në fuqi deri më 4 janar, një ditë para printimit të fletëve të votimit për zgjedhjet paraprake në atë shtetet, ose derisa Gjykata e Lartë të marrë një vendim.
Teknikisht, vendimi i Kolorados zbatohet vetëm në atë shtet ndërsa sekretarët e shteteve të tjera po lëshojnë deklarata duke thënë se zoti Trump mbetet në fletën e votimit për zgjedhjet paraprake.
Por vendimi i Kolorados mund t‘i inkurajojë shtetet e tjera që ta përjashtojnë emrin e zotit Trump nga fletët e votimit.
Aktivistët u kanë kërkuar zyrtarëve të zgjedhjeve shtetërore që ta bëjnë këtë në mënyrë të njëanshme, por asnjë nuk e ka bërë. Janë ngritur dhjetëra padi, por të gjitha dështuan deri në Kolorado.
Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara nuk ka marrë asnjëherë vendim lidhur me atë që nënkupton pika 3 e Amendamentit 14. Apelimi nga fushata e zotit Trump nuk pritet të depozitohet këtë javë.
Gjykata e Lartë mund të marrë vendime të ndryshme, që nga mbështetja e vendimit të Kolorados apo hedhja poshtë e tij. Një tjetër alternativë mund të jetë edhe shmangia e pyetjeve thelbësore. Por shumë ekspertë paralajmërojnë se do të ishte e rrezikshme që të lihej pa përgjigje një pyetje jetike kushtetuese.
“Është e domosdoshme për stabilitetin politik amerikan që të kemi një zgjidhje përfundimtare juridike të këtyre çështjeve sa më shpejt që të jetë e mundur”, shkroi menjëherë pas vendimit Rick Hasen, profesor i drejtësisë në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos. “Votuesit duhet ta dinë nëse kandidati që ata po mbështesin për president ka të drejtë të kandidojë”.
ÇFARË DO TË BËJË GJYKATA E LARTË E SHBA-së?
Gjykata e Lartë përbëhet nga nëntë gjyqtarë, gjashtë prej tyre të emëruar nga presidentë republikanë, mes tyre tre të emëruar nga vetë zoti Trump.
Pjesërisht për shkak se kjo është një bazë ligjore krejtësisht e re, është e vështirë të parashikohet se si do të vendosin gjykatësit individualisht bazuar në ideologjinë e tyre.
Disa nga mbështetësit më të fortë të përdorimit të dispozitës në fjalë kundër zotit Trump kanë qenë teoricienë dhe avokatë të njohur konservatorë , të cilët argumentojnë se gjykatat duhet të zbatojnë fjalët aktuale të Kushtetutës. Ata argumentojnë se nuk ka vend për interpretim dhe se zoti Trump është qartësisht i skualifikuar.
Të shtatë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të Kolorados janë emëruar nga demokratët. Por ata ishin të ndarë në votimin 4-3. Shumica citoi një vendim nga zoti Neil Gorsuch nga koha kur ai ishte gjyqtar federal në Kolorado. Zoti Gorsuch është një prej të emëruarve në Gjykatën e Lartë nga zoti Trump.
Ai pati marrë vendimin se një i lindur në Guayana, por që ka marrë shtetësinë amerikane, nuk i plotëson kushtet e vendosura nga Kushtetuta për të qënë në fletën e votimit për zgjedhjet presidenciale.
Megjithatë, gjykatat hezitojnë të kufizojnë zgjedhjet e votuesve. Shtrohet pyetja nëse një mosmarrëveshje ligjore zgjidhet më mirë nga njerëzit që votuesit kanë zgjedhur për të hartuar ligjet apo nga gjyqtarët e pazgjedhur? Kjo është një arsye se pse të gjitha paditë e tjera ndaj pikës 3 të Amendamentit 14 kanë dështuar deri tani.
ÇFARË ËSHTË PIKA 3 E AMENDAMENTIT 14?
Pika 3 e Amendamentit të 14-të u shkrua për të mbajtur larg posteve të qeverisë ish drejtuesit e konfederatës. Shtesa ligjore përjashton nga mbajtja e posteve publike të gjithë ata që më parë kanë bërë betimin por që janë përfshirë në kryengritje ose rebelim kundër shtetit ose kanë ndihmuar armiqtë. Pika 3 thotë se kjo dispozitë mund të ndryshohet me votën e dy të tretave të secilës dhomë të Kongresit.
Dispozita u përdor shpesh në vitet menjëherë pas Luftës Civile, por nuk u përdor më pasi Kongresi miratoi një amnisti në vitin 1872 për shumë veteranë të konfederatës.
Sipas hulumtuesve, rasti i vetëm i përdorimit të dispozitës në shekullin e 20-të ishte në vitin 1919 kundër një ligjvënësi socialist i cili kundërshtonte përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Parë Botërore.
Finlanda do të nënshkruajë një marrëveshje të mbrojtjes javën e ardhshme duke i dhënë Shteteve të Bashkuara qasje në 15 baza ushtarake të anëtarit më të ri të NATO-s, tha të premten ministria finlandeze e mbrojtjes.
Marrëveshja e Bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes (DCA) do të nënshkruhet në Uashington të hënën nga ministri i mbrojtjes Antti Hakkanen dhe sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken, tha ministria e punëve të jashtme. Më pas, traktati duhet të miratohet nga parlamenti i vendit nordik.
“Marrëveshja do të forcojë mbrojtjen e Finlandës sepse mundëson praninë dhe trajnimin e forcave amerikane dhe dislokimin e pajisjeve mbrojtëse në territorin e saj”, shtoi ministria e jashtme e Finlandës. “Ajo do të mbështesë gjithashtu zbatimin e masave frenuese dhe mbrojtëse të NATO-s.”
Ministrja e Jashtme, Elina Valtonen do të jetë e pranishme në Uashington gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, dhe për të takuar Sekretarin e Shtetit Antony Blinken. Shtetet e Bashkuara nënshkruan një marrëveshje të ngjashme me Suedinë më 6 dhjetor që i jep Uashingtonit qasje në 17 baza ushtarake.
Shqetësimet e ngritura nga agresioni rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, bënë që Finlanda dhe Suedia të braktisin politikën e mos-angazhimit ushtarak dhe të aplikojnë për anëtarësim në NATO. Finlanda u bë anëtare e NATO-s në prill, ndërsa Suedia ende është në pritje të miratimit të kërkesës së saj nga anëtarët e NATO-s, Hungaria dhe Turqia.
Një ish-zyrtar i lartë i FBI-së për kundërzbulimin u dënua të enjten me mbi katër vjet burg për shkelje të sanksioneve ndaj Rusisë, pasi ai kishte punuar për një oligark rus që kërkonte të dhëna ndaj një rivali të pasur.
Charles McGonigal, i cili drejtoi divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork nga viti 2016 deri në daljen e tij në pension në vitin 2018, pranoi në muajin gusht se kishte punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska për të gjetur të dhëna negative për oligarkun rival Vladimir Potanin.
55-vjeçari Charles McGonigal u dënua në gjykatën federale të Manhatanit me katër vjet e dy muaj burg. Gjykatësja e çështjes, Jennifer H. Rearden, tha se zoti McGonigal kishte dëmtuar sigurinë kombëtare duke shpërfillur vazhdimisht sanksionet që synonin të ushtronin trysni ekonomike ndaj Rusisë për të arritur rezultate pa forcë ushtarake. Ai u gjobit gjithashtu me 40,000 dollarë.
Prokurori e cilësoi krimin e të pandehurit McGonigal si një etje për para i cili i kishte përdorur njohuritë që fitoi gjatë karrierës në FBI për t’i shërbyer një oligarku famëkeq rus, industrialistit miliarder Oleg Derispaska, dikur të hetuar prej tij.
Në vitin 2018 Shtetet e Bashkuara vunë sanksione ndaj oligarkut Deripaska për arsye që lidhen me pushtimin e Krimesë nga Rusia. Pasi iu dha rasti për të folur, McGonigal tha me një zë ndonjëherë që i dridhej se ishte penduar thellë dhe i vinte keq për veprimet e tij.
“Unë e kuptoj më shumë se kurrë që e kam tradhtuar besimin e njerëzve të mi të afërt”, tha ai. “Për pjesën tjetër të jetës sime, unë do të luftoj për ta rifituar atë besim”. Ndërsa u largua nga gjykata duke shtrënguar duar me bashkëshorten Pamela, ai tha: “Gëzuar festat të gjithëve”.
Në muajin gusht ish-agjenti i kundërzbulimit të FBI-së e pranoi fajin ndaj akuzës për shkeljen e sanksioneve amerikane. Ai i tha gjykatëses se kishte marrë mbi 17,000 dollarë për ta ndihmuar oligarkun rus Deripaska me informacione negative për një oligark tjetër rus, i cili ishte konkurrent biznesi.
Prokurorët thonë se zoti McGonigal po përpiqej gjithashtu ta ndihmonte oligarkun Deripaska për ta hequr atë nga lista e sanksioneve dhe po zhvillonte negociata me disa bashkëpunëtorë për një shpërblim nga 650,000 deri 3 milionë dollarë për të gjetur dokumente që mund të zbulonin rreth 500 milionë dollarë në pasuri, të fshehura nga rivali i tij në biznes.
Avokati mbrojtës, Seth DuCharme, kërkoi shmangien e burgimit duke përmendur karrierën e zotit McGonigal, përfshirë punën e tij pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe hetimin e tij për dy sulmet terroriste vdekjeprurëse në ambasadat amerikane në Afrikë në vitin 1998.
Ndihmës Prokurori i Shteteve të Bashkuara, Hagan Scotten, argumentoi për një dënim maksimal pesëvjeçar, duke i thënë gjykatësit se zoti McGonigal kishte një rrogë prej mbi 200,000 dollarë në vit përpara se të largohej nga FBI-ja dhe se ai paguhej mbi 850,000 dollarë në vit në sektorin privat, për një korporatë të njohur ndërkombëtare kur ai kreu krimin.
“Varfëria nuk ishte motivi për krimin, por babëzia”, tha ai. Zoti Scotten tha se McGonigal kishte një nga detyrat më të rëndësishme të kundërzbulimit në botë përpara se të largohej nga FBI-ja.
Prokurori Damian Williams tha përmes një deklarate se dënimi i zotit McGonigal ishte provë se kushdo që shkel sanksionet amerikane “do të paguajë një dënim të rëndë”.
“Charles McGonigal shkeli besimin që i dha vendi i tij, duke përdorur postin e lartë në FBI për t’u përgatitur për të ardhmen e tij në biznes. Pasi u largua nga shërbimi publik, ai rrezikoi sigurinë kombëtare duke i ofruar shërbime Oleg Deripaska-s, një manjati rus që vepron si agjent i Vladimir Putinit”.
Zoti McGonigal, i cili jeton në Nju Jork, është akuzuar veçmas në një gjykatë federale në Uashington, për fshehjen e të paktën 225,000 dollarëve, që dyshohet se i ka marrë nga një ish-zyrtar i zbulimit shqiptar, ndërsa McGonigal punonte për FBI-në. Për këtë rast ai do të dënohet më 16 shkurt. Gjykatësja Rearden e urdhëroi atë që të paraqitej në burg më 26 shkurt.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin nga qeveria e ardhshme e Serbisë, e cila do të dalë nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, të vazhdojë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si dhe rrugën drejt integrimit evropian, tha ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.
“Populli serb do të votojë si të dojë. Ne presim që qeveria t’i përmbahet marrëveshjes që ka bërë në lidhje me Kosovën”, tha O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Ai tha se në muajt e fundit është shënuar progres për çështjen e Kosovës, duke shtuar se “disa nga çështjet kryesore kontestuese kanë filluar të zgjidhen, si ajo e targave, doganave…”.
Zyrtari amerikan tha se duhet bërë progres i mëtejshëm dhe vuri në dukje se e ardhmja e Ballkanit qëndron në tregun e përbashkët evropian dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Për t’u bashkuar me të vërtetë në tregun e përbashkët evropian, të dyja palët duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre, të njohin kufijtë dhe të pajtohen për bashkëpunim. Ne presim që ata të punojnë përsëri – duke filluar me angazhimet që ata tashmë i kanë bërë”, tha O’Brien.
Derisa ka folur për vazhdimin e negociatave për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, O’Brien tha se SHBA-ja pret ulje të tensioneve në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
“Është një zonë ku forcat e KFOR-it, NATO-s janë forcuar. Dhe, misioni evropian, EULEX, gjithashtu ka qenë shumë aktiv kohën e fundit. Prandaj, asnjëra palë nuk ka arsye të shkaktojë tensione atje dhe ajo zonë duhet të qëndrojë e qetë”, tha ai.
Gjendja në veriun e Kosovës, vendi i banuar me shumicë serbe, vazhdon të jetë e tensionuar prej fillimit të këtij viti, kur serbët lokalë i kundërshtuan kryetarët shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe, të cilët dolën nga zgjedhjet e bojkotuara nga serbët në prill.
Më 24 shtator, gjendja u përshkallëzuan pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në të.
Kthimi i serbëve në institucionet publike është një nga hapat që O’Brein përmendi për uljen e tensioneve.
“Qytetarët serbë të Kosovës që jetojnë në atë rajon duhet të mirëpriten përsëri në institucionet publike dhe kjo do të zvogëlojë tensionet. Dhe, pastaj, sinqerisht, të dyja palët kanë një punë të madhe për të bërë, për t’u siguruar që të vazhdojnë rrugën e normalizimit për të cilën u pajtuan në mars, në Ohër. Kështu që ka punë për t’u bërë”, tha ai.
O’Brien tha gjithashtu se SHBA do të vazhdojë të theksojë se sa e rëndësishme është “përfundimi i kësaj pune në muajt e ardhshëm”.
“Ekonomitë e tyre tashmë janë të lidhura me Bashkimin Evropian dhe tani ata duhet të zbatojnë reforma dhe të angazhohen për të qenë pjesë e atij komuniteti. Dhe derisa e bëjnë këtë, unë mendoj se tensionet do të ulen dhe ata do të kenë një marrëdhënie më të madhe”, tha ai.REL
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy duke folur në krah të Presidentit Joe Biden në Shtëpinë e Bradhë, u bëri thirrje ligjvënësve amerikanë të martën që të miratojnë 61 miliardë dollarë ndihmë për vendin, ndërsa Kievi vazhdon të luftojë kundër agresionit rus. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, të dy udhëheqësit thonë se pa këto fonde Ukraina do të përballet me një dimër të ftohtë dhe të zymtë.
Presidenti amerikan dhe ai ukrainas thanë se pasojat do të jenë të tmerrshme nëse Ukraina nuk merr fondet që i duhen për të luftuar kundër agresionit rus, ndërsa dimri po afron.
Republikanët në Kongres vazhdojnë të kundërshtojnë miratimin e një ndihme të tillë. Të martën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u kërkoi ligjvënësve që të miratojnë kërkesën prej 61 miliardë dollarësh të presidentit Joe Biden deri në fund të javës.
Republikanët thonë se duan të sigurohen që fondet janë nën “mbikëqyrjen e duhur” dhe gjithashtu duan të shohin “një artikulim të qartë të strategjisë” të Ukrainës.
Presidenti Biden u zotua për mbështetjen e tij të vazhdueshme, ndërsa akuzoi republikanët se po ndihmojnë Moskën duke mos e miratuar ndihmën.
“Drejtuesi i një emisioni televiziv që drejtohet nga Kremlini tha, ‘bravo republikanë. Kjo është mirë për ne”. Nëse merrni lëvdata nga propagandistët rusë atëherë mund të jetë koha për të rimenduar atë që po bëni. Historia do t’i gjykojë ashpër ata që i kthejnë shpinën kauzës së lirisë”, tha Presidenti Biden.
Zoti Zelenskyy vazhdoi të bënte thirrje për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe tha se kombi i tij nuk do të falë territor.
“Unë do t’i pyesja këta njerëz nëse do të ishin të gatshëm t’i dorëzonin fëmijët e tyre te terroristët. Unë nuk mendoj se do të donin”, thotë zoti Zelenskyy.
Ministria e Jashtme e Rusisë akuzoi Presidentin Zelenskyy se është një kukull e Shteteve të Bashkuara.
Taksapaguesit amerikanë po tregojnë shenja lodhjeje në lidhje me situatën në Ukrainë dhe disa republikanë pyesin pse rreth një e treta e parave të SHBA-së nuk shfrytëzohen për armë, por për të ndihmuar qeverinë ukrainase.
John Jameson, aktivist për spastrimin e minave që vizitoi së fundmi vendin, tha se Ukraina ka nevojë për çdo qindarkë.
“Njerëzit që bëjnë çminimin po punonin ndërsa dëgjonim zhurmën e artilerisë që po vazhdonte. Ata po e bëjnë këtë sepse e dinë se është thelbësore që të jenë në gjendje të fillojnë mbjelljet dhe prodhimin tani në mënyrë që jo vetëm të luftojnë, por edhe të mund të jetojnë. Jo, ne nuk mund të presim derisa të mbarojnë luftimet”, thotë zoti Jameson.
Analistët thonë se lufta mund të zgjasë më shumë se një vit dhe shtrojnë pyetjen nëse Ukraina po merr mbështetjen e duhur, duke pasur parasysh arritjet e ushtris së saj të vogël përballë një armiku shumë më të madh.
“Ata janë bërë viktima të suksesit të tyre. Unë nuk mendoj se duhet të kërkojmë nga ukrainasit të bëjnë më shumë po të kemi parasysh ndihma e vogël ushtarake që ju jepet. Ata po marrin një sasi tepër të vogël municionesh, artilerie me rreze të gjatë veprimi dhe me preçizion të lartë, mbrojtjes ajrore. Unë mendoj se ata po përdorin vërtet në mënyrë mbresëlënëse burimet shumë të kufizuara që u jepen, kundër një kundërshtari shumë më të madh”, thotë Dalibor Rohac, studiues në Institutin “Amerikan Enterprise”, ku studion ekonominë politike të Bashkimit Evropian dhe marrëdhëniet transatlantike.
Tani i takon Kongresit të vendosë nëse Ukraina e merr atë që kërkon përpara ardhjes së pashmangshme të një armiku mizor që godet pa mëshirë: Dimrit.
VOA – Administriata e Presidentit Biden i dërgoi të hënën një paralajmërim urgjent Kongresit mbi nevojën për të miratuar dhjetra miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, duke thënë se pa këto fonde, luftimet e Kievit ndaj Rusisë mund të mos vazhdojnë dot më.
Në një letër drejtuar udhëheqësve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, e cila u bë e ditur për publikun, Drejtoresha e Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, Shalanda Young paralajmëroi se në fund të këtij viti, Shteteteve të Bashkuara do t’i mbarojnë fondet për të dërguar armatime dhe ndihmë për Ukrainën, duke shtuar se një gjë e tillë do “t’u priste gjunjët” ukrainasve në fushën e betejës.
Ajo shtoi se Shteteve të Bashkuara u kanë mbaruar fondet që kanë përdorur për të mbështetur ekonominë e Ukrainës dhe “nëse ekonomia e Ukrainës shembet, Ukraina nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë luftimet. Paratë na kanë mbaruar, por pothuajse po na mbaron dhe koha”, shkroi ajo.
Presidenti Biden i ka kërkuar Kongresit miratimin e një paketë ndihme prej afro 106 miliardë dollarësh, ku përfshihet ndihma për Ukrainën, Izraelin dhe nevoja të tjera, por është përballur me reagim të vështirë në Kapitol, ku po rritet skepticizmi mbi nivelin e ndihmës ndaj Kievit. Madje edhe republikanët që mbështesin paketën e ndihmës, po këmbëngulin, duke vënë si kusht për miratimin e saj, ndryshimin e politikave për të ndaluar vërshimin e emigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë.
Ndërkohë, Dhoma e Përfaqësuesve, që kontrollohet nga republikanët, ka miratuar një paketë ndihme vetëm për Izraelin, që po lufton kundër Hamasit në Gazë. Shtëpia e Bardhë ka ruajtur qërdrimin se duhet miratuar të gjitha fondet.
Kongresi tashmë ka lëvruar 111 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, duke përfshirë 67 miliardë dollarë fonde për armatime, 27 miliardë dollarë për të mbështetur ekonominë dhe 10 miliardë dollarë ndihmë humanitare.
Zonja Yound thotë se i gjithë ky fond, me përjashtim të 3 për qind nga fondi për armatimet, ka mbaruar që në fund të nëntorit.
Administrata e Presidentit Biden ka thënë se gjatë javëve të fundit ka ngadalësuar ritmin e ndihmës ushtarake për Kievin, me qëllim që ajo të zgjasë derisa Kongresi të miratojë fondet e tjera.
“Nuk kemi më para për të mbështetur Ukrainën në këtë luftë. Ky nuk është një problem që i takon vitit tjetër. Koha që të ndihmojmë Ukrainën demokratike të luftojë ndaj agresionit rus, është tani. Është koha që Kongresi të veprojë”, shkroi zonja Young.
Letra vjen pasi zyrtarë të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare informuan në një takim me dyer të mbylluara, në 29 nëntor, udhëheqësit më të lartë të Dhomës së Përfqësuesve dhe Senatit mbi nevojën për miratimin e paketës së ndihmës.
Takimi u zhvillua në një kohë kur Kongresi është përfshirë në debate mbi paketën e ndihmës prej afro 106 miliardë dollarësh që ka kërkuar Presidenti Biden, që përfshin 61 miliardë fonde për Ukrainën, por që po pengohet nga kërkesat e republikanëve për të ndryshuar politikat e sigurisë në kufirin SHBA-Meksikë.
Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, ishte i pranishëm sot në Komisionin e Mbikëqyrjes së Gjyqësorit në Senat, për të dëshmuar për një seri çështjesh.
Që në pyetjet e para, ligjvënësit amerikanë u interesuan për të mësuar për skandalin e Charles McGonigal. Senatori Sheldon Whitehouse e pyeti nëse ka pasur një hetim të pavarur, përtej hetimit të gjyqësorit, në lidhje me këtë skandal.
Wray konfirmoi se Inspektori i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë është ai angazhuar në këtë hetim.
Kujtojmë se në këtë çështje është i implikuar në çdo aspekt të dosjes shqiptare, edhe kryeministri Edi Rama.
Sheldon Whitehouse: Doja të flisja me ju në lidhje me Charles McGonigal sot. Ai është një agjent i FBI, që është interesant në dy drejtime. Së pari, ai ka pranuar fajin për sa i përket akuzës për një faturë të padeklaruar prej 225 mijë dollarësh nga një shtetas i huaj dhe ai pret dënimin për krimet që ka pranuar në shkurtin që vjen.
Gjëja e dytë interesante është se ai ka drejtuar zyrën e kundërzbulimit në Nju Jork gjatë kohës që raportohej gjerësisht se agjentët e FBI-së në Nju Jork dhe ish-prokurori i Nju Jorkut, Rudy Giuliani, po i bënin presion drejtorit Comey për të ndërhyrë në fushatën e Hillary Clinton dhe për ta dëmtuar, diçka që ne për fat të keq e dimë se Comey e bëri me konferenca për shtyp që dhunuan rregullat dhe procedurat e Departamentit të Drejtësisë.
Pra, eksperienca ime është se kur dikush është në periudhën përpara dënimit për një çështje penale, kjo është një kohë shumë e mirë për të marrë informacione prej tyre, dhe bashkëpunim prej tyre. Nuk e di se çfarë ka ndodhur me zyrën në terren të Nju Jorkut gjatë asaj periudhe, por dua të di se a ka pasur një hetim të pavarur nëse kanë ndodhur mashtrime më FBI gjatë kësaj periudhe në detyrë. Nuk kam marrë asnjë konfirmim se ka ndodhur diçka e tillë. Marrëveshja e pranimit të fajit nuk reflekton asnjë shenjë bashkëpunimi jashtë kësaj marrëveshje. Nuk kam qenë në gjendje nëse Inspektori i Përgjithshëm po e sheh këtë çështje. Çfarë dini për këtë çështje?
Christopher Wray: Së pari, e vlerësoj që po e ngrini këtë çështje.
Kam disa gjëra për të thënë. E para, divizioni ynë i kundërzbulimit është ai që ka zbuluar shkeljet e McGonigal, e ka ndjekur atë dhe e ka arrestuar.
Ne jemi shumë të fokusuar në përpjekjet për të përcaktuar në të gjithë mënyrat që imagjinoni ju se cilat mund të jenë gjërat që ai ka ndikuar gjatë sjelljes abuzive të tij.
E dyta, mendoj se janë dy zyra prokurorësh të përfshira, ajo e Nju Jorkut dhe Distrikti i Kolumbias. Pra, janë dy çështje, në fazën e paradënimit dhe bashkëpunimi i tij mund të jetë potencialisht i përshtatshëm.
Nuk mund të jemi sa larg do shkojmë këtu, por mund t’u them se ne kemi angazhuar Inspektorin e Përgjithshëm sepse donim të kuptonim përmasat e vërteta të asaj se çfarë ka bërë zoti McGonigal dhe se çfarë di.
Sheldon Whitehouse: Pra, Inspektori i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë është i përfshirë?
Christopher Wray: Po, ai është i angazhuar.
Sheldon Whitehouse: Mirë, kjo është gjë e mirë./sn
Ish ambasadori Manuel Rocha/Foto e lëshuar nga Departamenti i Shtetit përmes AP
VOA/Marrë nga Associated Press
Ndaj një ish diplomati amerikan, i cili ka shërbyer në postin e ambasadorit në Bolivi, janë ngritur akuza për bashkëpunim me shërbimet e zbulimit të Kubës për shumë dekada, tha të hënën Departamenti i Drejtësisë.
Në dokumentet e publikuara së fundmi pretendohet se Manuel Rocha është angazhuar në “aktivitete të fshehta” në shërbim të Kubës, të paktën që nga viti 1981, përfshirë takime me agjentë të shërbimeve të zbulimit të Kubës, duke u dhënë zyrtarëve të qeverisë amerikane informacione të rreme mbi udhëtimet dhe kontaktet e tij me shtetas të huaj.
Në dokumentet e dorëzuara në një gjykatë federale në Majami thuhet se zoti Rocha akuzohet për vepra kriminale, përfshirë angazhimin si agjent i paligjshëm i një qeverie të huaj dhe ofron një rast të qartë studimi mbi, siç thonë zyrtarët amerikanë, përpjekjet e avancuara të shërbimeve të zbulimit nga Kuba për të rekrutuar zyrtarë të qeverisë amerikane.
73-vjeçari Rocha, i cili u arrestua në shtëpinë e tij në Majami të premten, do të paraqitet në gjykatë të hënën dhe ende nuk është e qartë nëse ai ka një avokat mbrojtës.
Në karrierën e tij 20 vjeçare si diplomat amerikan, ai ka mbajtur poste të rëndësishme në vendet si Bolivia, Argjentina dhe si zyrtar i lartë për çështje që lidhen me interesat amerikane në Havanë deri në mes të viteve 1990. Departamenti i Drejtësisë nuk njoftoi menjëherë se si zoti Rocha tërhoqi vëmendjen e anëtarëve të shërbimit kuban të zbulimit dhe për llojin e informacionit që u ka dhënë atyre gjatë kohës kur ai punonte për qeverinë amerikane.
Akuza thotë se ish diplomati Rocha kishte lidhje të paligjshme me qeverinë e Kubës që nga viti 1981, ku ai filloi punën në Departamentin e Shtetit, që kishin vazhduar edhe pas largimit të tij nga qeveria federale, kur ai punonte si këshilltar për marrëdhëniet me publikun në sektorin privat, duke marrë paga të larta.
FBI-ja mësoi rreth marrëdhënieve të tij me shërbimet e zbulimit nga Kuba vitin e kaluar dhe kreu një operacion në Majami, duke organizuar takime mes zotit Rocha dhe një personi që pretendonte se ishte agjent i shërbimeve të zbulimit të Kubës.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë, gjatë njërit prej këtyre takimeve, zoti Rocha tha se ishte urdhëruar nga shërbimet e inteligjencës nga Kuba që të “bënte një jetë normale” dhe kishte krijuar imazhin e një “personi me pikëpamje djathtiste”.
I lindur në Kolumbi, ish diplomati Rocha u rrit në një familje të shtresës së varfër në qytetin e Nju Jorkut. Ai ka mbaruar studimet në Universitetin e Harvardit, Yale dhe Georgetown përpara se të fillonte punën në Departamentin e Shtetit në 1981.
Përveç Argjentinës dhe Bolivisë, ai ka punuar si diplomat edhe në Itali, Honduras, Meksikë dhe në Republikën Domenikane. Zoti Rocha ka shërbyer edhe në rolin e ekspertit për çështjet e Amerikës Latine në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Pas largimit nga Departamenti i Shtetit, ish diplomati Rocha filloi një karrierë të dytë në fushën e biznesit, duke shërbyer si president i kompanisë së nxjerrjes së arit në Republikën Domenikane, e cila pjesërisht është në pronësi të kompanisë nga Kanadaja, “Barrick Gold”.
John Feeley, i cili e përfundoi karrierën e tij të gjatë diplomatike në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Panama, tha se ai ndjente “keqardhje dhe ishte i tronditur që ish këshilltari dhe kolegu i tij ka punuar si agjent i Kubës”.
Ish diplomati Feeley, i cili u largua nga Departamenti i Shtetit për shkak të dallimeve të tij me administratën e Presidentit Donald Trump, tha se herën e fundit që ai është takuar me zotin Rocha ishte befasuar se si një diplomat që kishte punuar në administratat demokrate dhe republikane e kishte përqafuar plotësisht llojin e politikës së zotit Trump.
Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij ka analizuar përpjekjet e Shqipërisë për luftën kundër terrorizmit. Në raportin e DASH, thuhet se Shqipëria ka vijuar përpjekjet kundër terrorizmit në vitin 2022, duke riatdhesuar 13 shtetas të saj nga kampi i al-Hol në Siri. Mes të tjerash përmendet fakti se Shqipëria kërcënohet nga terrorizmi, pasi ka përpjekje nga organizata të huaja terroriste për të radikalizuar të rinjtë shqiptarë.
Ndër të tjera thuhet se: “Por, korrupsioni dhe pengesat për ndarjen e informacionit ndërmjet agjencive qeveritare, koordinimi i pamjaftueshëm brenda agjencive dhe një sistem i dobët gjyqësor vazhduan të pengojnë përpjekjet e zbatimit të ligjit të Shqipërisë në të gjitha nivelet, përfshirë ato që lidhen me luftën kundër terrorizmit. Vazhdoi zbatimi i reformave të thella në sektorin e drejtësisë. Verifikimi i 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë për korrupsion, kompetencë dhe lidhje me krimin e organizuar ishte 75% i përfunduar në fund të vitit.”.
RAPORTI
Shqipëria vazhdoi mbështetjen e saj të fortë për përpjekjet ndërkombëtare kundër terrorizmit në vitin 2022, duke riatdhesuar 13 shtetas të saj nga kampi i personave të zhvendosur al-Hol në Siri dhe duke u angazhuar në procesin e riintegrimit dhe rehabilitimit të tyre gjatë gjithë vitit. Vendi ka miratuar strategji kombëtare kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm (CVE) deri në vitin 2025 dhe po rishikon strategjinë e CVE. Kërcënimi i terrorizmit në Shqipëri konsiston në përpjekjet e organizatave të huaja terroriste për të radikalizuar të rinjtë shqiptarë.
Incidentet terroriste për vitin 2022:
Nuk ka pasur incidente terroriste të raportuara në Shqipëri në vitin 2022. Legjislacioni, Zbatimi i Ligjit dhe Siguria Kufitare: Në Shqipëri është e paligjshme të bashkohesh me një organizatë terroriste, të ofrosh dhe të marrësh pjesë në trajnime lidhur me terrorizmin, të ofrosh mbështetje materiale (përfshirë financimin) për një organizatë terroriste dhe të marrësh pjesë në një ushtri të huaj.
Njësia Kundër Terrorizmit e Policisë së Shtetit (CTU) ka punuar ngushtë me agjencitë amerikane për të harmonizuar përpjekjet e qeverisë shqiptare për CT me ekspertizën dhe burimet e SHBA-së, duke siguruar që qeveria shqiptare të zhvillojë aftësi të përqendruara CT. Njësia Kundër Terrorizmit e Policisë së Shtetit mori trajnime dhe pajisje të gjera gjatë gjithë vitit nga programi i Asistencës kundër Terrorizmit të Departamentit të Shtetit.
Prokuroria e Posaçme për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin ka akuzuar dy persona për nxitje dhe propagandë në favor të organizatës terroriste ISIS, bazuar në hetimet e kryera nga Njësia Kundër Terrorizmit e Policisë së Shtetit. Në dhjetor, Gjykata Speciale për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin dënoi një shtetas iranian me 15 vjet burg për përgatitjen e akteve terroriste.
Më 28 maj, Shqipëria riatdhesoi me sukses 13 shtetas nga kampet e zhvendosura në Siri. Qendra CVE e qeverisë shqiptare drejtoi rehabilitimin dhe riintegrimin e këtyre individëve dhe koordinoi përpjekjet e ministrive të ndryshme, donatorëve ndërkombëtarë, anëtarëve të shoqërisë civile dhe organizatave joqeveritare për të mbështetur këto përpjekje. Ky ishte riatdhesimi i dytë në një periudhë një vjecare të kryer nga autoritetet shqiptare, për 38 gra dhe fëmijë të riatdhesuar.
Por, korrupsioni dhe pengesat për ndarjen e informacionit ndërmjet agjencive qeveritare, koordinimi i pamjaftueshëm brenda agjencive dhe një sistem i dobët gjyqësor vazhduan të pengojnë përpjekjet e zbatimit të ligjit të Shqipërisë në të gjitha nivelet, përfshirë ato që lidhen me luftën kundër terrorizmit. Vazhdoi zbatimi i reformave të thella në sektorin e drejtësisë. Verifikimi i 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë për korrupsion, kompetencë dhe lidhje me krimin e organizuar ishte 75% i përfunduar në fund të vitit.
Shqipëria është zotuar të rrisë sigurinë e saj kufitare dhe përpjekjet e kontrollit për të ndaluar terroristët, me mbështetjen e ekspertëve dhe programeve të SHBA. Shërbimet e zbatimit të ligjit shqiptar bashkëpunojnë gjerësisht me INTERPOL-in dhe organe të tjera ligjzbatuese ndërkombëtare. Shqipëria vazhdon punën për zbatimin e rezolutës 2396 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur me Informacionin e Avancuar të Pasagjerëve dhe të dhënat e Emrave të Pasagjerëve dhe krijoi një Njësi të Informacionit të Pasagjerëve me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Shqipëria mbështet një sistem të mbikëqyrjes së sigurisë portuale për të zbatuar kërkesat sipas Kodit Ndërkombëtar të Sigurisë së Anijeve dhe Porteve të Organizatës Ndërkombëtare Detare.
Kundër Financimit të Terrorizmit:
Shqipëria është anëtare e MONEYVAL (Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit). NjIF e saj, Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave, është anëtare e Grupit Egmont. Shqipëria mbeti në “listën gri” të FATF në vitin 2022.
Në vitin 2022, FATF raportoi se Shqipëria ndërmori hapa drejt përmirësimit të regjimit të saj Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, duke përfshirë finalizimin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, përfundimin e një projekti afatgjatë për të reduktuar ekonominë informale, duke rritur fokusin dhe përpjekjet të autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe prokurorisë për zbatimin e të gjithë gamës së masave të sekuestros dhe konfiskimit, miratimin e një kuadri ligjor adekuat për shkeljet e detyrimeve të regjistrimit të shoqërive dhe organizatave jofitimprurëse dhe zbatimin e sanksioneve proporcionale dhe bindëse ndaj subjekteve që nuk kanë deklaruar pronarët e tyre përfitues në regjistrin brenda afatit. Në raportin e saj vijues të majit, Shqipëria vuri në dukje përparim në adresimin e mangësive të identifikuara të pajtueshmërisë teknike.
Kundër ekstremizmit të dhunshëm:
Qeveria e Shqipërisë ka një strategji kombëtare të CVE deri në vitin 2025 dhe ndaj ka hartuar një të re. Qendra Kombëtare e CVE koordinon dhe menaxhon programimin e CVE midis donatorëve ndërkombëtarë dhe kërkon të sigurojë që të gjitha ministritë të bashkëpunojnë në mënyrë efektive dhe të shmangin dyfishimin e përpjekjeve. Qendra Kombëtare e CVE koordinoi dhe menaxhoi pritjen, rehabilitimin dhe riintegrimin e të gjitha grave dhe fëmijëve të kthyer. Qendra Kombëtare e CVE është kërkuar për këshilla nga vende të tjera për shkak të sukseseve të saj me riintegrimin.
Ambasada në Tiranë mbështet përpjekjet e CVE me një gamë të gjerë programesh ndihme dhe angazhimesh diplomatike, duke përfshirë grupet e komunitetit lokal që identifikojnë dhe zbutin faktorët në themel të ekstremizmit të dhunshëm. Fondi Global i Angazhimit dhe Rezistencës së Komunitetit, në koordinim të ngushtë me Qendrën Kombëtare të CVE, financon tre organizata që punojnë në çështjet e CVE: Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Linja e Këshillimit për Gratë dhe Terre des Hommes.
Departamenti i Shtetit mbikëqyri zbatimin e një granti të gjashtë të CVE për Komunitetin Mysliman Shqiptar, i cili përfshinte angazhimin e klerit islamik me të rinjtë në rrezik, prindërit e tyre dhe udhëheqësit qytetarë për t’i larguar të rinjtë nga radikalizimi drejt dhunës, si dhe informimin e tyre për parimet demokratike, të drejtat e njeriut, angazhimin qytetar dhe tolerancën.
Bashkëpunimi Ndërkombëtar dhe Rajonal:
Shqipëria është anëtare e Këshillit të Adriatikut, Këshillit të Evropës, NATO-s, Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, OSBE-së, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për Evropën Juglindore, Kombeve të Bashkuara dhe Qendrës Ndërkombëtare të Ekselencës për Kundërshtimin. Ekstremizmi i dhunshëm (Hedayah). Në vitin 2022, ajo vazhdoi të shërbente si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Zyrtarët shqiptarë të drejtësisë penale morën pjesë rregullisht në shoqata të ndryshme rajonale, konferenca dhe shkëmbime të tjera informacioni kundër terrorizmit.
Ish Sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, njihet si një figurë e rëndësishme, por edhe kundërthënëse në traditën e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I tillë ishte edhe qëndrimi i tij ndaj luftës në Kosovë dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s.
Ndonëse ish diplomati amerikan nuk kishte ndonjë rol vendimmarrës gjatë luftës në Kosovë, ai ishte një nga zërat më kritik ndaj ndërhyrjes ushtarake të NATO-s dhe posaçërisht i angazhimit ushtarak dhe diplomatik amerikan në Ballkan. Por menjëherë pas luftës, pas suksesit që ndërhyrja ushtarake e NATO-s ndaj Serbisë pati për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, ish Sekretari Kissinger vazhdoi ta kritikojë atë lidhur me përplasjet që ajo shkaktoi në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe lidhjet e Uashingtonit me Moskën.
Në një shkrim të botuar në të përditshmen amerikane “The Washington Post” më 22 shkurt të vitit 1999, ndërkohë që përpjekjet diplomatike amerikane dhe evropiane kishin dështuar ta bindin Serbinë për t’u tërhequr nga Kosova, ish Sekretari Kissinger shkruante se, “nuk ndihej rehat me zgjerimin e përkushtimeve amerikane të pakufishme që parashihnin vendosjen e trupave amerikane në terren”.
Sipas tij, angazhimit të administratës amerikane në Kosovë dhe në Bosnjë “i mungonte përkufizimi i qëllimit strategjik në bazë të cilit do të matej suksesi dhe strategjia e tërheqjes”. Amerika rrezikonte të përfshihej në një konflikt të pafund, shprehej ai.
“Problemi i Kosovës nuk është i ri. Konflikti etnik ka qenë dukuri shekullore e Ballkanit. Valë pushtimesh shkaktuan përçarje ndërmjet grupeve etnike dhe fetare, mes kishës ortodokse dhe kishës katolike, ndërmjet krishterimit dhe fesë islame, ndërmjet trashëgimtarëve të Perandorisë Austriake dhe Osmane”, shkruante zoti Kissinger.
“Gjatë shekujve ka patur konflikte mizore të pashembullta pavarësisht se asnjëri nga popujt nuk ka përvojë dhe as besim në konceptet perëndimore të tolerancës.”
Në artikullin me titullin “Jo trupa amerikane tokësore në Kosovë”, zoti Kissinger e paralajmëronte administratën e Presidentit Bill Clinton se, “sundimi i shumicës dhe kompromisi, që përbëjnë bazën e propozimeve ‘për zgjidhje’ asnjëherë nuk kanë rezonuar në Ballkan”, duke shtuar se marrëveshja për Kosovën ka pak gjasa të përkrahet nga palët e armiqësuara për një kohë të gjatë.
Duke kundërshtuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, zoti Kissinger e nxiti Evropën që të marrë përgjegjësitë në Kosovë.
“Evropianët kurrë nuk lodhen duke theksuar nevojën për një autonomi më të madhe evropiane. Pra, ekziston mundësia për ta demonstruar atë. Nëse Kosova paraqet problem sigurie, atëherë është e tillë për Evropën… Kosova paraqet kërcënim për Amerikën aq sa Haiti paraqet për Evropën”, shkruante ai.
Megjithatë disa muaj më vonë, pasi ndërhyrja ushtarake e NATO-s i dha fund luftës në Kosovë dhe i hapi rrugë administrimit ndërkombëtar të Kosovës dhe vendosjes së forcave paqeruajtëse të NATO-s, zoti Kissinger e zbuti qëndrimin ndaj ndërhyrjes amerikane në Ballkan përmes një artikulli në të përjavshmen amerikane “Newsweek”
“Të gjithë ne që kishim mëdyshje për përparësitë që diplomacia duhej të kishte ndaj luftës në Kosovë ia kemi borxh administratës së Presidentit Clinton t’i shprehim respektin tonë për guximin me të cilin këmbënguli, aftësinë me të cilën a mbajti unitetin e aleancës dhe përmes të cilës arriti të sigurojë pajtimin rus”, shkruante zoti Kissinger më 20 qershor të vitit 1999, vetëm 8 ditë pas përfundimit të luftës në Kosovë.
Por edhe në artikullin me titullin “Një e drejtë e zbrazët”, ai vazhdoi të paralajmëronte diplomacinë amerikane që të mos përkushtohej pafund në Ballkan.
“… Fitorja na lë me një sfidë po aq serioze: si të shmangim ngecjen e përhershme në një cep të Ballkanit si një ekuivalent modern i perandorive austriake dhe osmane.”
Sipas zotit Kissinger, planet që i japin fund konfliktit në Kosovë ka rrezik që, “të shndërrohen në përkushtim të pafund që çojnë drejt një angazhimi edhe më të thellë, që na vendosin në rolin e policit në një rajon me urrejtje pasionante dhe ku kemi pak interesa strategjike”.
Henry Kissinger, i cili vdiq të mërkurën në moshën 100-vjeçare, personifikoi politikën e jashtme të SHBA-së gjatë administratave të presidentëve Richard Nixon dhe Gerald Ford, duke shërbyer si sekretar i shtetit i të dy presidentëve dhe duke fituar lavdi për sukseset diplomatike, por duke nxitur edhe polemika për pikëpamjet e tij politike për botën.
Njoftimi për vdekjen u dha nga kompania e tij e konsulencave e cila nuk shpalosi shkaqet.
I njohur si një studiues, fitues i çmimit Nobel për Paqe dhe një refugjat i shquar në Shtetet e Bashkuara, Henry Kissinger u bë një ikonë kulturore, duke frymëzuar biografi të shumta, të mira e të këqija dhe të satirizuara nga grupi Monty Python.
Mendimtari konservator ndihmoi në ndërtimin e një sërë suksesesh diplomatike, duke përfshirë afrimin me Kinën dhe shtensionimin me Bashkimin Sovjetik. Atij iu dha Çmimi Nobel për Paqe së bashku me Le Duc Tho nga Vietnami i Veriut, për përpjekjet e tyre për të negociuar përfundimin e Luftës së Vietnamit.
Henry Kissinger gjithashtu shënoi arritje të shumta në Lindjen e Mesme, duke përfshirë negocimin e Marrëveshjes së Sinait të vitit 1975 midis Egjiptit dhe Izraelit, dhe punën për të çuar përpara procesin më të gjerë të paqes arabo-izraelite në përpjekjet që u bënë të njohura si “diplomacia e vajtje ardhjeve”.
Pavarësisht arritjeve të tij në mbarë globin, Henry Kissinger ishte një figurë e diskutueshme, me kritikët që pretendonin se ai lejoi bombardimet në Kamboxhia, mbështeti goditjen e Pakistanit ndaj Bangladeshit dhe bëri pak për të ndaluar fushatën e Argjentinës kundër disidentëve.
Vitet e hershme
I lindur si Heinz Kissinger në Furth të Gjermanisë, ai mbërriti në Shtetet e Bashkuara në vitin 1938 në moshën 15-vjeçare pasi familja e tij iku nga përndjekjet naziste të hebrenjve. Familja fliste anglisht në shtëpi dhe Heinzi u bë i njohur si Henry, duke u bërë më vonë një qytetar i natyralizuar amerikan.
Z. Kissinger u kthye në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore si pjesëtar i Ushtrisë Amerikane në Divizionin e 84-të të këmbësorisë.
“Unë i kujtoj ato vite me shumë krenari”, tha ai për Chicago Tribune kur ishte në të 80-at. “Lufta e Dytë Botërore ishte një luftë pa asnjë paqartësi morale”.
Pas luftës, z. Kissinger u regjistrua në Harvard në kuadër të programit G.I. Bill, që ofronte përfitime për të kthyerit nga lufta, dhe aty më pas doktoroi, duke iu bashkuar më vonë kuadrit mësimdhënës.
Pikëpamja e tij për politikën e jashtme pa dyshim u formësua nga përvoja e arratisjes nga Gjermania naziste.
Ai është i njohur për qasjen e tij “realpolitike” të përqendruar në marrjen e vendimeve praktike diplomatike dhe jo në ato që i kanë rrënjët në një kuadër moral.
Kur u pyet nga The New York Times në vitin 1974 për ndjenjën e pesimizmit dhe madje edhe të tragjedisë në shkrimet e tij politike, z. Kissinger u përgjigj: “Unë e mendoj veten më shumë si historian sesa si burrë shteti. Si historian, ju duhet të jeni të vetëdijshëm për faktin se çdo qytetërim që ka ekzistuar ndonjëherë, në fund është shembur”.
“Historia është një rrëfim mbi përpjekjet që dështuan, mbi aspiratat që nuk u realizuan, mbi dëshirat që u përmbushën dhe më pas dolën të ishin të ndryshme nga ajo që pritej”, tha ai.
Roli në Shtëpinë së Bardhë
Pasi shërbeu si konsulent në agjencitë qeveritare të SHBA gjatë administratave të presidentëve Dwight D. Eisenhower, John Kennedy dhe Lyndon Johnson, z. Kissinger iu bashkua Shtëpisë së Bardhë në vitin 1969 gjatë administratës së presidentit Nixon. Ai shërbeu si këshilltar për sigurinë kombëtare dhe më pas sekretar i shtetit, punë qe e vazhdoi nën presidentin Gerald Ford.
Ai kishte një marrëdhënie të ngushtë me presidentin Richard Nixon dhe e vlerësoi bashkëpunimin si një arsye kryesore për sukseset e tyre në politikën e jashtme.
Ai tha për Newsweek në vitin 2009: “E takoja presidentin çdo ditë kur ishim të dy në qytet, sepse e ndjeja se ishte absolutisht thelbësore që ne të mendonim në të njëjtën linjë. Unë isha me fat. Kam pasur marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta me dy presidentët me të cilët kam shërbyer. Në fakt, nëse shikohet historia e sekretarëve të shtetit, kjo është e rrallë”, tha ai.
Z. Kissinger bëri dy udhëtime në Kinë përpara se të shoqëronte presidentin Nixon në vizitën e tij që shënoi kthesë në Pekin në 1972, për t’u takuar me kryetarin e Partisë Komuniste të Kinës, Mao Ce Dun. Gjatë vizitës, Shtetet e Bashkuara dhe Kina zyrtarizuan marrëdhëniet diplomatike pas një ndërprerjeje prej 23 vitesh.
Ish sekretari Kissinger dhe ish presidenti Nixon gjithashtu punuan ngushtë së bashku për të zbutur tensionet me Bashkimin Sovjetik, duke çuar në Bisedimet për Kufizimin e Armëve Strategjike (SALT) si dhe në Traktatin Kundër Raketave Balistike (ABM).
Ish diplomati më i lartë amerikan mori çmime të shumta për arritjet e tij. Së bashku me Çmimin Nobel për Paqen në 1973, ai fitoi Medaljen Presidenciale të Lirisë në vitin 1977, nderimi më i lartë civil në Shtetet e Bashkuara, dhe Medaljen e Lirisë në vitin 1986, e cila iu dha 10 prej udhëheqësve më me ndikim të Amerikës me origjinë të huaj.
Kundërthëniet
Pavarësisht arritjeve të tij, z. Kissinger ka nxitur shumë kritika, shumica e të cilave u përqendruan në veprimet e tij gjatë Luftës së Vietnamit.
Ai i mbajti sekret bombardimet e Shteteve të Bashkuara në Kamboxhia dhe Laos në vitin 1969, të cilat përshkallëzuan Luftën e Vietnamit, duke mos e informuar Kongresin ose publikun amerikan për to.
Atij gjithashtu iu dha pushtet nga presidenti Nixon për të zhvilluar negociata të fshehta me vietnamezët e veriut. Ndërsa z. Kissinger përfundimisht ndihmoi arritjen e Marrëveshjes së Paqes të Parisit si rezultat i negociatave, kritikët e tij thonë se vitet e bisedimeve të fshehta vetëm sa e zgjatën luftën.
Ish sekretari Kissinger është kritikuar gjithashtu për rolin e tij në konfliktet në mbarë botën, përfshirë luftën civile të Angolës, e cila u shndërrua në një fushë beteje të Luftës së Ftohtë, dhe përfshirjen e SHBA-së në Kili, që kulmoi me një grusht shteti në vitin 1973.
Ndonëse z. Kissinger qëndroi në rolin e tij si sekretar i shtetit pasi presidenti Nixon dha dorëheqjen në vitin 1974, ai nuk mbeti i paprekur nga skandali Watergate që e rrëzoi presidentin Nixon. Skandali zbuloi se z. Kissinger kishte urdhëruar FBI-në të përgjonte anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të parë se kush kishte nxjerrë në media lajmet për bombardimin e Kamboxhias nga Shtetet e Bashkuara.
Periudha pas Shtëpisë së Bardhë
Pas largimit nga qeveria, z. Kissinger punoi si këshilltar dhe pedagog ndërkombëtar, si dhe shkroi një duzinë librash. E fundit e tij, “Udhëheqja” (Leadership), u botua kur ai ishte 99 vjeç.
Ai vazhdoi të fliste dhe të shkruante për punët e jashtme, madje duke nxitur polemika në maj të vitit 2022, kur ai argumentoi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, se Ukraina duhet të heqë dorë nga pjesë të territorit për të bërë paqe me Rusinë. Ai tha se një humbje e turpshme për presidentin rus Vladimir Putin mund të përkeqësojë qëndrueshmërinë afatgjatë të Evropës.
Z. Kissingeri la pas vetes gruan e tij të dytë, Nancy, me të cilën u martua në vitin 1974. Ai pati dy fëmijë me gruan e tij të parë, Ann Fleischer, dhe pesë nipër e mbesa.
Organizuar nga Universiteti Shteteror i Arizones dhe ne bashkepunim me Qendren Melikan,si dhe me Shoqaten inovative amerikane ne ambientet e ketij universiteti ne Tempe te Arizones,u mbajt nje takim me Zotin Ilir Dugolli,Ambasador i Republikes se Kosoves i akredituar ne Washington,D.C.Temat e ligjerates qe ambasadori i Kosoves,Ilir Dugolli mbajti para profesoreve,studenteve e ish studenteve shqiptare dhe amerikane dhe anetareve te shoqerise civile ishin:inovacionet dhe investimet ekonomike ne mes Kosoves dhe SHBA-ve,pastaj ndikimi i ekonomise se Kosoves dhe perspektivat e saj tregtare me SHBA-ne,si dhe perceptimi dhe ndikimi ne investimet e huaja direkte ne Kosove.Ne fillim te fjales se tij ambasadori Dugolli pershendeti te pranishmit per interesimin e tyre per proceset inovoative dhe investimet ne shtetin e Kosoves,duke vleresuar bashkepunimin e frytshem qe ekziston ne te gjitha fushat me SHBA-ne.Ai theksoi se duhet te vazhdohet me aktivitete ekonomike te cilat kane per synim sigurimin e partneriteteve per bizneset kosovare ne SHBA dhe anasjelltas.Ai foli ne vecanti per mundesite e shumta ekonomike dhe investimet amerikane dhe bashkepunimin ne kete fushe,qe ka me se shume nevoje shteti i ri i Kosoves.Perkitazi me kete u theksua se sa eshte e rendesishme edhe bashkepunimi me institucionet financiare amerikane dhe nderkombetare,te cilat do te mbeshtetin aktivitetet e inovacionit dhe te ndermarresise ne mes te dy vendeve te cilat kane mundesi per zgjerimin e biznesit dhe forcimin e ekonomise.Ambasadori Ilir Dugolli ishte i shoqeruar edhe nga prof.dr.Visar Berisha dhe prof.dr.Stiven Batalden,profesore nga Universiteti Shteteror i Arizones.Poashtu nga te pranishmit si gjate ligjerates,po ashtu edhe gjate bashkebisedimit zgjoi kureshtjen e te pranishmeve qe te bejne pyetje per procesin e njohjes se Kosoves edhe nga vendet te tjera,pastaj situaten aktuale politike ne Kosove dhe ne ate qe po kalojne vendet e rajonit te Ballkanit perendimor.Lidhur me kete pyetje ambasadori Dugolli theksoi se”Ne bejme te pamunduren qe ne te gjitha kontaktet tona diplomatike me partneret tane ndekombetar per te lobizuar per njohjen e Kosoves,por kjo nuk verehet deri sa te arrihet rezultati perfundimtar.
Askush nuk e konteston ekzistencen e Kosoves ne mardheniet e sotme nderkombetare,por angazhimin yne eshte konsistent per te siguaruar sa me shume njohje per Kosoven,kur dihet se pavaresia e Kosoves eshte e njohur edhe nga GjND-ja.Njohja e nderkombetare e Pavaresise dhe e sovranitetit te Kosoves mbetet prioritet i punes se ambasades sone.Procesi i njohjes se Kosoves eshte nje realitet dhe nje faktor i domosdoshem i paqes dhe stabilitetit ne rajon.
Me se miri kjo deshmohet nga fakti i njohjes formale te Kosoves nga shumica dermuese e shteteve nga rajoni dhe komuniteti Euroatlantik.Arritjet e deritanishme jane pjese e diplomacise proaktive dhe dinamike te Kosoves,por edhe nje merite e partnereve tane nderkombetare qe kane mbeshtetur procesin e njohjes dhe kane lobuar per Kosoven,e vecanerisht kemi gezuar perkrahjen e SHBA-ve.Ambasada e Republikes se Kosoves ne Uashington,do te mbetet fuqimisht e angazhuar per te lobuar per numrin e rritjes se njohjeve ku do te forcohet edhe me tej pozita nderkombetare e Kosoves.Nderkaq ne pyetjen e gazetarit,mr.Lulzim Mulliqi,se cili do te ishte mesazhi per shqiptaret e mergates sone qe jetojne ne SHBA?
Ambasadori Ilir Dugolli theksoi” Mesazhi im,eshte mesazh inkurajimi dhe falenderimi per mergaten tone e cila e ka ndihmuar gjithmone atdheun.Mesazhi im,eshte per te vazhduar edhe me tej te punojne me qellimin e perbashket ne te mire te atdheut dhe kombit tone.
Ish Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Rosalynn Carter, u nderua të martën në një ceremoni në Atlanta, ku morën pjesë të gjitha zonjat e para dhe tre presidentët, përfshirë bashkëshortin e saj, ish-presidentin 99-vjeçar Jimmy Carter, i cili në shkurt iu nënshtrua kujdesit profesional mjekësor në shtëpinë e tij për mbajtjen nën kontroll të dhimbjeve në prag të fundit të jetës.
Ceremonia u shoqërua me muzikë klasike dhe shumë nga himnet e saj të preferuara dhe lexime të vargjeve biblike. Në mesin e pjesëmarrësve në në këtë ceremoni ishin edhe Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden, ish-presidenti Bill Clinton dhe ish sekretarja e shtetit Hillary Clinton, ish zonjat e para MelaniaTrump, Michelle Obama dhe Laura Bush, së bashku me Nënpresidenten Kamala Harris dhe bashkëshortin e saj Doug Emhoff.
Më shumë se 1000 njerëz ishin të pranishëm në kishën ku u mbajt ceremonia, përfshirë fëmijët e saj dhe dhjetëra nipër e mbesa, të ulur rreth ish Presidentit Jimmy Carter. Jimmy dhe Rosalynn Carter janë çifti presidencial me lidhjen martesore më të gjatë në historinë amerikane. Ata ishin të martuar për 77 vjet.
Në cerominë për nder të ish Zonjës së Parë Rosalynn Carter, folën djali i saj James Earl “Chip” Carter III, gazetarja Judy Woodruff, ndihmësja e saj gjatë kohës kur ajo ishte në Shtëpinë së Bardhë, Kathryn Cade, nipi i saj dhe kryetari i “Qendrës Carter”, Jason Carter dhe pastori Tony Snowden.
Rosalynn Carter, e cila është vlerësuar për jetën e saj si aktiviste politike, ishte zonja e dytë më jetëgjatë e Shteteve të Bashkuara pas ish Zonjës së Parë Bess Truman, e cila vdiq në moshën 97 vjeçare.
Ajo vdiq më 19 nëntor në moshën 96 vjeçare.
Funerali do të mbahet të mërkuren në qytetin Plains të shtetit të Xhorxhias, që do të pasohet nga një cermoni private varrimi në shtëpinë e familjes Carter.
Ceremonitë përkujtimore filluan të hënën me anëtarët e publikut që iu dha mundësia për të bërë nderimet e tyre në Bibliotekën Presidenciale Jimmy Carter.
Disa të dhëna për këtë lajm u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.
Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony J. Blinken, ka uruar qeverinë dhe popullin shqiptar me rastin e 111-vjetorit të Pavarësisë.
Përmes një deklarate për shtyp, ai ka thënë se SHBA është krenare që punon me Shqipërinë si aleate dhe partnere të NATO-s.
Blinken ka falenderuar vendin tonë për mirëpritjen dhe mbështet fuqishëm integrimin e plot në komunitetin euroatlantik dhe në rrugën drejt anëtarësimit BE.
Sipas sekretarit të Shtetit Amerikan, lidhjet midis kombeve tona, të bazuara në vlerat, kulturën dhe miqësinë e përbashkët mbeten të qëndrueshme.
Deklarata e plotë e Blinken:
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, uroj qeverinë dhe popullin e Shqipërisë dhe ju uroj një festë të gëzuar për 111-vjetorin e Pavarësisë.
Shtetet e Bashkuara janë krenare që punojnë me ju si aleatë dhe partnerë të NATO-s të angazhuar për të forcuar përpjekjet e Shqipërisë për reformën në drejtësi, për të çuar më tej bashkëpunimin tonë për sigurinë kibernetike dhe për të vazhduar mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën përballë luftës së agresionit të Rusisë. Ne ju falënderojmë për mirëpritjen tuaj bujare dhe me zemër të hapur të afganëve dhe mbështesim fuqishëm integrimin tuaj të plotë në komunitetin euroatlantik, veçanërisht përmes përparimit në reformat e sundimit të ligjit dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Zgjedhja e fundit e Shqipërisë në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut është një shenjë respekti ndërkombëtar për përparimin e fuqishëm që ka bërë kombi juaj në dekadat e fundit dhe një njohje e shërbimit të tij shembullor në 2015-2017. Ne jemi krenarë që shërbejmë përkrah Shqipërisë dhe presim me padurim të punojmë së bashku për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut në mbarë botën.
Lidhjet midis kombeve tona, të bazuara në vlerat, kulturën dhe miqësinë e përbashkët mbeten të qëndrueshme. Le të vazhdojë të përparojë puna jonë së bashku.
Forcat e armatosura amerikane kanë rritur prej vitesh përdorimin e inteligjencës artificiale. Por gjatë dekadës së fundit, Pentagoni ka përfshirë format më të përparuara të inteligjencës artificiale që do të ndryshojnë rrënjësisht natyrën e luftës. Tashmë Pentagoni synon të fusë në përdorim mijëra sisteme autonome të inteligjencës artificiale deri në vitin 2026, për të konkurruar me Kinën.
Iniciativa ambicioze, për të cilën nuk është ende e qartë se sa para do të shpenzohen, do të përshpejtojë miratimin për teknologjinë e inteligjencës artificiale që do të vlerësohet e gatshme për t’u bërë pjesë e aktivitetit ushtarak.
“Inteligjenca artificiale është qendrore për axhendën tonë të inovacionit, duke na ndihmuar të përllogarisim më shpejt, të ndajmë informacionin më mirë dhe të përdorim platforma të ndryshme. Dhe kjo është thelbësore për luftimet e së ardhmes”, tha Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
Koloneli i Forcave Ajrore, Matt Strohmeyer thotë se është tepër e rëndësishme aftësia për të marrë vendime më të mira dhe më shpejt se konkurrentet dhe kundërshtarët, ndërsa ushtria amerikane po shqyrton përfshirjen e teknologjive të reja.
“Nuk bëhet fjalë për teknologji thjesht për hir të teknologjisë. Është teknologji që do t’u mundësojë ushtarakëve të marrin vendime më të mira dhe më të shpejta”, thotë ai.
Nuk ka ndonjë dyshim në radhët e shkencëtarëve dhe zyrtarëve të Pentagonit, se arsenali ushtarak amerikan do të përmbajë rrjedhimisht edhe sisteme luftarake krejtësisht autonome. Dronët autonomë pritet të hyjnë një ditë në fushëbetejë në grupe të mëdha, disa për qëllime zbulimi, të tjerë për të sulmuar.
Iniciativa e re, e quajtur Replicator, përshpejton integrimin e inteligjencës artificiale në ushtrinë amerikane.
Dy ndër kompanitë që po konkurrojnë për të prodhuar sisteme luftarake plotësisht autonome janë Anduril dhe Shield AI. Ato kanë siguruar financime prej qindra miliona dollarësh dhe punojnë për të zhvilluar kryesisht programet kompjuterike, ndërsa dronët do të blihen në masë nga kompani të tjera.
Craig Martell, drejtues në Pentagon për teknologjinë dixhitale dhe inteligjencën artificiale, është i shqetësuar më pak për armët autonome që do të marrin vendimet vetë, se sa për sistemet që mund të mos funksionojnë sipas planit.
“Pavarësisht nga autonomia e sistemit, do të ketë gjithnjë një zyrtar përgjegjës që kupton kufizimet e sistemit, që është trajnuar së bashku me sistemin, që ka sigurinë e duhur se kur dhe ku duhet dislokuar, dhe që do të marrë përgjegjësinë për dislokimin dhe zbatimin e kuadrit rregullator”, thotë zoti Martell.
Një sfidë urgjente mbetet rekrutimi dhe mbajtja në punë e personave të talentuar që nevojiten për të provuar teknologjinë e inteligjencës artificiale, ndërkohë që Pentagoni gjendet në një situatë të pafavorshme për të konkurruar me nivelin e pagave në sektorin privat.
Në nëntor të vitit të shkuar, kryeministri i Shqipërisë ia behu në rrjetet sociale me një foto me CEO-n e “Biance”, kompania më e madhe në botë e kriptovalutave.
“Shtytja e adoptimit të kriptove nuk ndalet kurrë”, shkruante Changpeng Zhao në Twitter në një foto ku kishte dalë së bashku me Edi Ramën.
“U takova me Kryeministrin e Shqipërisë, Shkëlqësinë e Tij Edi Rama në këtë të shtunë të bukur. Shtytja e adoptimit të kriptove nuk ndalet kurrë“, ishte mesazhi i plotë i Changpeng, pa dhënë asnjë detaj më shumë për këtë takim misterioz me kryeministrin e një vendi që peshën ekonomike në ekonominë globale, apo për kompani globale e ka sa një pupël.
Changpeng Zhao është bashkëthemeluesi dhe shefi i kësaj kompanie, pasuria e të cilit vlerësohet në 17 miliardë dollarë.
Si është e mundur që çdo biznesmen i koorporatave të mëdhaja që takon Rama akuzohet për lidhje me Rusinë ose me Kinën, dhe i faktohen akuzat nga drejtësia amerikane?
Para disa kohësh kryeministri Rama, njerëz të afërt me të politikisht, por edhe familjarë të tij janë akuzuar për përfshirjen në skema gjigante botërore të pastrimit të parave, flitet për shifra mbi 2.2 miliard euro të pastruara nëpërmjet Bitcoin.
Dhe jo rastësisht, Shqipëria është një nga 3-4 vende në Europë që ka bërë gjasme një legjislacion për kriptovalutat. Nxitim i pakuptueshëm i Parlamentit për të votuar pa dekret presidencial një ligj të tillë.
Në shtator të 2020 Shqipëria bëhet një nga tre vendet e para në Europë që bën një ligj për kriptomonedhat.
Ligji i kthyer nga ish-presidenti i kohës, Ilir Meta, u kalua pa dekret në Parlament pas refuzimit nga presidenti për ta dekretuar.
Ligji që u kalua në Parlament me forcën e kartonave dyshohet se shërben për pastrim parash nga ana e zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe bandave që kryejnë veprimtari të paligjshme.
Dhe vetëm pak kohë pas kalimit të ligjit, kryeministri del foto me bossin e kriptomonedhave. Pra, asgjë nuk është rastësi.
Në relacionin, që shoqëroi ligjin, pranohej se siç ka përfitime ka edhe rreziqe nga ai ligj.
“Për të shfrytëzuar sa më mirë përfitimet që ofron kjo teknologji, por edhe për të adresuar një sërë rreziqesh të mundshme, siç janë krijimi i skemave mashtruese, apo i skemave të paautorizuara për të ofruar aktive virtuale, rreziku i përdorimit të aktiveve virtuale për të pastruar para, si dhe manipulimi i tregut, nevojitet një kornizë ligjore e plotë, në mënyrë që ky aktivitet të rregullohet” thuhej në relacion.
Në relacion pranohet se pastrimi i parave është një nga rreziqet që lidhet me përdorimin e monedhave virtuale.
Blockchain shmang rregullatorët dhe është rrezik për pastrim parash.
Blockchain është një teknologji e re dhe jo më e thjeshta për t’u kuptuar. Kjo teknologji vlerësohet se do të kërkojë vite për t’u zbatuar nga komunitete shumë më të edukuara nga pikëpamja financiare se Shqipëria për të zgjidhur problemet me standardet e sigurisë dhe për të kthyer reputacionin nga hakerimet, sidomos për Shqipërinë sistemi i së cilës është sulmuar nga hakerat vazhdimisht dhe sulmet kanë patur sukses.
Si dyshohet se kryhet pastrimi i parave?
Nëpërmjet teknologjisë mund anashkalosh kontrollin e bankës qendrore aksionet e një biznesi, hipotekën e shtëpisë, sigurimin e pronës apo transfertat e emigrantëve, duke shmangur sinjalizuesit e fenomenit të pastrimit të parave. Këtë funksion e kryejnë aktualisht bankat / shoqëritë financiare që duhet të njoftojnë në kohë reale pastrimin e parave për transaksione mbi 10 000 euro, ashtu si dhe noterët që e kanë të detyrueshme të njoftojnë, në rast dyshimi për pastrim parash.
A po shërben ligji për kriptomonedhat për të pastruar para në Shqipëri?
Dubai njihet si një vend parajsë fiskale dhe ekonomistët më në zë të vendit kanë hedhur dyshimet se pikërisht investimi në Portin e Durrësit do të jetë një prej skemave gjigante të pastrimit të parave.
Pak kohë më parë një sarandiot u arrestua në Greqi me dyshimin e përfshirjes në një skemë pastrimi parash në vlerë 250 milionë euro. Pastrimi i parave dyshohet se kryhej nëpërmjet agjencive imobiliare.
Një tjetër lajm i rëndësishem u publikua disa muaj më parë, por që mediat në Shqipëri nuk i “kushtuan” shumë vëmendje.
Agjencia e lajmeve ‘Reuters’ raportonte se kinezo-kanadezi Changpeng Zhao, president i kompanisë Binance u vu në hetim nga FBI.
Zhao është president i një burse të këmbimit të kriptomonedhave, ndaj tij rëndojnë 13 akuza të ngritura nga rregullatorët amerikanë, të cilët e akuzojnë se ka ngritur një ‘rrjet mashtrimi’. Ky rrjet mashtrimi ka ushtruar presion duke bërë që Bitcoin të bjerë në nivelin më të ulët në pothuajse tre muaj.
Komisioni i Bursave dhe Letrave me Vlerë në SHBA ka depozituar padinë në një gjykatë federale në Uashington.
Siç është bërë tashmë e ditur Edi Rama rezulton mik i ngushtë me Zhao dhe të gjithë njerëzit që dyshohen e merren në hetim nga FBI për skema pastrimi parash. Kujtoni edhe rastin e aferës me McGonigall.
Ajo çfarë deri para pak kohësh ishte dyshim, sot është fakt. Edhe miku tjetër i Edi Ramës, Changpeng Zhao, ka pranuar të gjitha akuzat para drejtësisë amerikane.
CNN raportonte këtë të martë (21 nëntor 2023) se, Drejtori Ekzekutiv i bursës më të madhe të kriptomonedhave në botë pranon fajësinë pastrim parash
Miliarderi Changpeng Zhao dhe Binance pranuan fajësinë të martën për akuzat federale në një moment vendimtar projektuar për të vendosur rregull në industrinë e kriptomonedhave që shpeshherë janë të paligjshme.
Si pjesë e një ujdie të koordinuar në qeverinë federale, Binance ka rënë dakord të paguajë më shumë se 4 miliardë dollarë gjoba dhe penalitete të tjera. Zhao, një nga figurat më të fuqishme në fushën e kriptovalutës, ka rënë dakord të largohet si drejtor ekzekutiv nga kompania që ai themeloi dhe do të paguajë 200 milionë dollarë gjobë.
Binance, bursa më e madhe e kriptovalutës në botë, pranoi se ishte përfshirë në pastrim parash, transferim të palicensuar të parave dhe shkeljeve të sanksioneve.
Zyrtarët amerikanë e përshkruan këtë si vendimin më të madh të korporatës që përfshin akuza penale për një ekzekutiv.
Pas një hetimi prej vitesh, autoritetet pretendojnë se Binance ka lejuar aktorët e këqij të kryenin transaksione lirisht në platformë, duke mundësuar gjithçka, nga abuzimi seksual i fëmijëve dhe narkotikët deri te financimi i terrorizmit për ISIS-in, Al Kaedën dhe Brigadat Al-Qassam të Hamasit.
Zhao, i cili ka grumbulluar një pasuri të vlerësuar në më shumë se 23 miliardë dollarë, u deklarua fajtor për mosmbajtjen e një programi efikas kundër pastrimit të parave.
Autoritetet amerikane shpresojnë se pranimi i fajit nga Binance dhe nga themeluesi i saj, pas dënimit të fundit të bashkëthemeluesit të FTX, Sam Bankman-Fried, do të dërgojë një mesazh të qartë për aktorët e këqij në të gjithë industrinë e kriptovalutës.
“Binance u bë bursa më e madhe e kriptomonedhave në botë pjesërisht për shkak të krimeve që kreu – tani po paguan një nga gjobat më të mëdha të korporatave në historinë e SHBA-së”, tha në një deklaratë Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.
Zhao përballet me një maksimum prej 10 vitesh pas hekurave, megjithëse dënimi i tij përfundimtar ka të ngjarë të jetë shumë më i ulët. Udhëzimet federale ka të ngjarë të vendosin maksimumin e një dënimi të mundshëm për Zhaon rreth 18 muaj. Dënimi në fund vendoset nga një gjyqtar.
Sipas marrëveshjes për pranimin e fajësisë, Zhao ra dakord me rekomandimin e prokurorëve që ai të paguante një gjobë prej 50 milionë dollarësh. Përveç gjobës penale, Zhao do të paguajë 150 milionë dollarë në gjoba civile, sipas Commodity Futures Trading Commission. Urdhri i propozuar i miratimit kërkon gjithashtu që Binance të heqë 1.35 miliardë dollarë nga fitimet e paligjshme dhe të paguajë një gjobë monetare civile prej 1.35 miliardë dollarësh për CFTC.
“Binance mbylli një sy ndaj detyrimeve të saj ligjore në ndjekje të fitimeve,” tha Sekretarja e Thesarit Janet Yellen në një deklaratë. “Dështimet e tij të qëllimshme lejuan që paratë të rrjedhin te terroristët, kriminelët kibernetikë dhe abuzuesit e fëmijëve përmes platformës së saj.”
Pranimi i fajësisë së Binance është pjesë e një marrëveshjeje të koordinuar të arritur me një gamë të gjerë agjencish qeveritare, duke përfshirë Departamentin e Drejtësisë, Rrjetin e Zbatimit të Krimeve Financiare të Thesarit (FinCEN), Zyrën e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) dhe Komisionin e Tregtisë së të Ardhmes së Mallrave. Thesari e përshkroi marrëveshjen e Binance si dënimin më të madh në histori. “Platforma Binance po lehtësonte disa gjëra vërtet të tmerrshme – nga financimi i terrorizmit deri te veprimet e ransomëare, pornografia e fëmijëve dhe mashtrimet e ndryshme”, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i Thesarit.
Zyrtarët amerikanë thonë se Binance lejoi më shumë se 100,000 transaksione që përfshinin aktivitete të paligjshme, si dhe më shumë se 1.5 milionë tregti me monedhë virtuale që shkelnin sanksionet e SHBA, duke përfshirë sanksionet ndaj Iranit, Sirisë dhe Kubës.
Kur autoritetet njoftuan marrëveshjen, Zhao konfirmoi në një postim në X (ish-Tëitter) se ai ka dhënë dorëheqjen si drejtor ekzekutiv. “Pa dyshim, nuk ishte e lehtë emocionalisht të largoheshe. Por unë e di që është gjëja e duhur për të bërë”, tha Zhao. “Kam bërë gabime dhe duhet të marr përgjegjësi. Kjo është më e mira për komunitetin tonë, për Binance dhe për veten time.”, raporton CNN dhe mediat e tjera amerikane./syri.net
zeriamerikes.com
Zëri i Amerikës: Binance, platforma më e madhe e kriptomonedhave, gjobitet 4 miliardë dollarë
Marrë nga Associated Press
2–3 Minuten
Qeveria amerikane i dha një goditje masive firmës Binance, platforma më e madhe në botë për shkëmbimin e kriptomonedhave. Firma Binance ra dakord të martën që paguajë një gjobë prej rreth 4 miliardë dollarësh, ndërsa themeluesi dhe shefi i kompanisë Changpeng Zhao u deklarua fajtor për një krim që lidhej me dështimin e tij për të parandaluar pastrimin e parave në platformë.
Zoti Zhao dha dorëheqjen nga drejtimi ndërsa firma Binance pranoi shkeljet e shumta.
“Përdorimi i teknologjisë së re për të shkelur ligjin nuk ju bën novator, ju bën kriminel”, tha Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland, i cili e quajti marrëveshjen si një nga dënimet më të mëdha të korporatave në historinë e vendit.
Në bazë të marrëveshjes, Departamenti amerikan i Thesarit tha se Binance do t’i nënshtrohet vëzhgimit për pesë vite, mes të tjerash, edhe sigurimin e largimit të plotë të firmës nga Shtetet e Bashkuara. Binance është një kompani me qendër në Ishujt Cayman.
Zoti Zhao njihet si rivali kryesor i zotit Sam Bankman-Fried, themeluesit 31-vjeçar të firmës FTX, platforma e dytë më e madhe i kriptomonedhave përpara kolapsit nëntorin e kaluar. Zoti Bankman-Fried u gjet fajtor në fillim të këtij muaji për mashtrim dhe vjedhjen e të paktën 10 miliardë dollarëve nga klientët dhe investitorët.
Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, tha se firma Binance lejoi në platformën e saj veprimtari financiare nga aktorë të paligjshëm, “duke mbështetur aktivitete që nga abuzimi seksual i fëmijëve, tek narkotikët e paligjshëm dhe terrorizmi, në më shumë se 100,000 transaksione”.
Firma Binance nuk paraqiti asnjë raport lidhur me aktivitetet e dyshimta për ato transaksione, tha zonja Yellen, dhe kompania lejoi mbi 1.5 milionë dollarë shkëmbime me monedha virtuale çka bie ndesh me sanksionet amerikane, përfshirë veprimtaritë nga Brigadat al-Qassam të Hamasit, al-Kaida dhe organizata të tjera kriminale.
Ka ndërruar jetë dje në moshën 96-vjeçare bashkëshortja e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës
VOAL- Rosalynn Carter, ish-zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, u nda nga jeta të dielën në moshën 96-vjeçare. Këtë e bën të ditur Qendra Carter. “Bashkëthemeluesja jonë, ish-Zonja e Parë Rosalynn Carter, ndërroi jetë këtë pasdite në Plains, Georgia. Ajo vdiq e qetë, me familjen pranë saj”, lexojmë në një deklaratë.
“Rosalynn ka qenë partnerja ime në gjithçka që kam arritur”, tha ish-shefi 99-vjeçar i Shtëpisë së Bardhë. “Për sa kohë që Rosalynn ishte në botë, unë gjithmonë e dija se dikush më donte dhe më mbështeste.” Të dy ishin të martuar për 77 vjet.
Në maj u zbulua se Rosalynn Carter vuante nga demenca. Të premten e kaluar fondacioni njoftoi se 96-vjeçarja po merrte kujdes paliativ në shtëpi. Ish-presidenti gjithashtu i është nënshtruar kujdesit paliativ në shtëpi që nga mesi i shkurtit. rsi-eb
Retorika e Donald Trump mbi emigracionin, planet e tij për një presidencë të dytë nëse fiton zgjedhjet e vitit të ardhshëm dhe përshkrimi i tij i armiqve politikë si “të dëmshëm” pasqyrojnë gjuhën e Gjermanisë së viteve 1930 dhe ngritjen e nazistëve në pushtet atje, paralajmëroi JB Pritzker.
Pritzker, wshtw guvernatori i Illinois me origjinë hebraike, i cili ndihmoi në ndërtimin e Muzeut të Holokaustit dhe Qendrës Arsimore të shtetit në Çikago.
Joe Biden javën e kaluar gjithashtu i krahasoi komentet e Trump me epokën kur Gjermania naziste orkestroi vrasjet e 6 milionë hebrenjve gjatë Holokaustit, duke thënë se “nuk është as hera e parë” që ai e bën këtë.
Trump kishte zgjedhur qëllimisht të përdorte fjalë “që për fat të keq të kujtojnë të kaluarën”, tha Pritzker gjatë një paraqitjeje në MSNBC’s Inside me Jen Psaki.
“Retorika që po përdoret nga Trump, nga disa ekstremistë Maga është retorikë që u përdor në vitet 1930 në Gjermani dhe unë jam shumë i shqetësuar për drejtimin e vendit nëse shohim politika si ajo që Donald Trump po përkrah doli në dritë”, tha ai.
“Në Gjermaninë e viteve 1930 njerëzit që nuk donin të kishin pushtet, njerëz që donin t’i ndanin dhe ndanin, filluan t’i quanin emigrantë, madje edhe njerëz që kishin qenë në Gjermani për breza. Kjo është një mënyrë për të filluar ndarjen e njerëzve dhe më pas përfundimisht … çnjerëzimin dhe vrasjen e njerëzve.
Nuk e di se ku po shkon me Donald Trump. Ajo që mund t’ju them është se gjërat për të cilat ai flet janë të frikshme për ne që njohim historinë e Evropës në vitet 1930 dhe 40. Dhe unë jam thellësisht i shqetësuar për predikimin e tij për hakmarrje dhe çfarë do të thotë kjo për grupet e njerëzve që nuk e mbështetën atë në zgjedhjet e 2024 nëse ai zgjidhet”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës të enjten kanë futur në listën e zezë 10 individë, teksa kanë shpallur raundin e radhës të sanksioneve ekonomike në Ballkan.
Sipas ueb-faqes zyrtare të Thesarit amerikan, individët e sanksionuar janë nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Në mesin e tyre janë Savo Cvijetinoviq, Petar Gjokiq dhe Dushko Peroviq nga Bosnja e Hercegovina; Miodrag Davidoviq dhe Branisllav Miqunoviq nga Mali i Zi; Ratka Kunoska Kamceva, Irina Samsonenko dhe Sergey Samsonenko nga Maqedonia e Veriut; dhe Misha Vaciq e Nenad Popoviq nga Serbia.
Dy të fundit janë sanksionuar edhe nga Departamenti amerikan i Shtetit për lidhje me ndikimin dashakeq të Rusisë në rajon, dhe me korrupsionin e mundësuar prej tij.
Thesari dhe Departamenti i Shtetit, po ashtu, kanë sanksionuar edhe 18 kompani.
“Rusia ka vazhduar të përdorë ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor për të parandaluar integrimin e rajonit në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe të përdorë juridiksionet kryesore për të lehtësuar aktivitetet e saj agresive destabilizuese,” ka thënë nënsekretari për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare i Thesarit amerikan, Brian E. Nelson.
“Veprimi i sotëm rikonfirmon përpjekjet më të gjera të qeverisë amerikane për të promovuar paqen, stabilitetin dhe qeverisjen funksionale demokratike në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Nelson.
Ministri i Republikës Sërpska dhe shefi i Përfaqësisë së RS-së në Moskë
Petar Gjokiq është Ministër i Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Republikës Sërpska (RS) dhe president i Partisë Socialiste atje.
Që nga viti 2010, ai ka mbajtur poste të ndryshme ministrore në qeverinë e këtij entiteti të Bosnje e Hercegovinës.
Në fillim të nëntorit, në Beograd, me rastin e festimit të festës ruse, Ditës së Bashkimit Kombëtar, atij iu dha një çmim për shërbimet e tij “në forcimin e miqësisë midis RS-së dhe Rusisë”.
Dushko Peroviq është kreu i Përfaqësisë së RS-së në Moskë. Ai është kryesisht i pranishëm gjatë vizitës së presidentit të RS-së, Millorad Dodik, në kryeqytetin e Rusisë, dhe takimeve të tij me liderin rus, Vladimir Putin.
Gjokiq dhe Peroviq nuk iu përgjigjën thirrjeve të REL-it për koment.
Savo Cvijetinoviq, i njohur me pseudonimin “Tigri”, është biznesmen nga Bijelina, në verilindje të Bosnje- Hercegovinës. Ai është themelues dhe drejtor i kompanisë “Inženjering-BN”, e cila gjithashtu u vendos në listën e sanksioneve amerikane.
Cvijetinoviq është edhe kryetar i komunitetit serbo-rus “Zavet”. Gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, ai ishte kreu i Njësive Speciale të Policisë së RS-së.
Partneri i koalicionit i Vuçiqit dhe kreu i “Të djathtës serbe” proruse
Nenad Popoviq, politikan nga Serbia, i afërt me autoritetet ruse, është kryetar i Partisë Popullore Serbe – partnere koalicioni e Partisë Progresive Serbe në pushtet.
Në mbledhjen e fundit të Parlamentit të Serbisë, të shpërndarë para zgjedhjeve që do të mbaheshin më 17 dhjetor, ai ishte deputet i shumicës qeverisëse.
Nga viti 2017 deri në vitin 2022 ka qenë ministër pa portofol në Qeverinë e Serbisë. Partia e Popoviqit bashkëpunon me Rusinë e Bashkuar, partinë e presidentit rus Putin, me të cilën ka nënshkruar disa marrëveshje ndërpartiake.
Si ministër dhe deputet, Popoviq pati takime të shumta me zyrtarë rusë në Serbi dhe Rusi, dhe që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, ai avokoi që Serbia të mos vendoste sanksione ndaj Rusisë.
Misha Vaciq është udhëheqës i organizatës ultradjathtiste proruse “E djathta serbe”.
Vaciq është në listën e të sanksionuarve për, siç thuhet në shpjegim, aktivitete që “minojnë paqen, sigurinë, stabilitetin politik ose integritetin territorial të Shteteve të Bashkuara, aleatëve ose partnerëve të tyre”, dhe që janë në favor të qeverisë ruse.
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, ai mori pjesë në takime në tubime të Rusisë, dhe kundërshtoi vendosjen e sanksioneve kundër atij vendi.
Biznesmenë nga Mali i Zi – njëri i akuzuar për vrasje, tjetri i përfshirë në luftë
Branisllav “Brano” Miqunoviq nga Nikshiqi prej vitesh është i lidhur me biznesin e ndërtimit dhe lojërave të fatit në Mal të Zi, si dhe me kompanitë “Jack Pot” dhe “Zeta Film”.
Pranë Qytetit të Vjetër në Budvë, në vendin e ish-ndërtesës së “Zeta Film”, kompania e Miqunoviqit po ndërton, me partnerë të huaj, një hotel dymbëdhjetëkatësh me kazino.
Miqunoviq njihet si mik i ish-presidentit malazias, Millo Gjukanoviq. Ai u akuzua për vrasjen e Radovan Kovaçeviqit nga Nikshiqi në tetor të vitit 2000, por në vitin 2007 u shpall i pafajshëm, sepse përkundër disa personave të pranishëm gjatë vrasjes, askush nuk e identifikoi Miqunoviqin si personin që qëlloi me armë zjarri.
Miqunoviq ishte gjithashtu një nga të pandehurit në Bari të Italisë për kontrabandë cigaresh gjatë viteve 1990, por, në vitin 2019, kolegji i Gjykatës në Bari e pezulloi procedurën kundër tij për shkak të parashkrimit.
Çështja e duhanit u hap në Mal të Zi në vitin 2001, pasi në Bari filloi një hetim për kontrabandën e cigareve nga Mali i Zi në Itali, në fillim të viteve nëntëdhjetë.
Në hetim janë përfshirë rreth pesëmbëdhjetë persona nga Mali i Zi dhe Italia, mes të cilëve edhe Gjukanoviq. Të gjithë u shpallën të pafajshëm më vonë.
Miodrag “Daka” Davidoviq është biznesmen nga Mali i Zi. Në fillim të viteve ’90, ai ishte shef i policisë në Nikshiq, ndërsa gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, ai ishte ministër në të ashtuquajturën krahinë autonome serbe të Hercegovinës, e cila u themelua nga partia e Radovan Karaxhiqit, i cili u dënua për krime lufte para gjykatës në Hagë.
Në fund të viteve ‘90, Davidoviq ishte gjithashtu i dyshuar për kontrabandë cigaresh, por ato akuza nuk u vërtetuan kurrë.
Arrestimi i tij, për shkak të disa hetimeve financiare, përfundoi me faljen e tij në vitin 1998 nga ish-presidenti i Malit të Zi, Momir Bullatoviq, me të cilin ishte në marrëdhënie kumbarie.
Davidoviq është një nga donatorët më të mëdhenj të Kishës Ortodokse Serbe, prandaj ai mori disa çmime. Edhe pse herë pas here kishte ambicie politike në Mal të Zi, Davidoviq jetonte kryesisht në Beograd, prej nga i drejtonte punët e tij.
Pronari i klubeve sportive maqedonase dhe nëna e biznesmenit të sanksionuar
Sergei Samsonenko është biznesmen i pasur rus, i cili ka në pronësi klube maqedonase të hendbollit dhe futbollit.
Ratka Kunoska Kamceva është nëna e biznesmenit maqedonas Orce Kamcev, i cili, po ashtu, është në listën e zezë amerikane.
Bllokimi i aseteve dhe transkasioneve
Siç përcaktohet nga Departamenti i Thesarit, të gjitha asetet e personave të shtuar në listë, që janë në Shtetet e Bashkuara ose në pronësi ose kontrollin e personave amerikanë, ngrihen dhe duhet të raportohen në Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) të Thesarit.
Gjithashtu, bllokohen edhe të gjitha subjektet që janë në pronësi të një ose më shumë personave të bllokuar, drejtpërdrejt ose tërthorazi, individualisht ose në total, me 50 për qind e më shumë.
Po ashtu, ndalohen të gjitha transaksionet nga personat amerikanë brenda (ose në tranzit) në Shtetet e Bashkuara, që përfshijnë çdo pasuri ose interes në asetet e personave të caktuar ose të bllokuar, përveç nëse lejohen nga një autorizim i përgjithshëm ose i veçantë i lëshuar nga OFAC, ose nëse përjashtohen.
Përveç kësaj, institucionet financiare dhe personat e tjerë që angazhohen në transaksione ose aktivitete të caktuara me individë të sanksionuar mund t’i nënshtrohen sanksioneve.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se spitali më i madh në Gazë, Shifa “duhet të mbrohet”. Luftimet midis forcave izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit – organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – kanë bërë që spitali të rrethohet, duke detyruar mijëra persona që të largohen.
“Shpresa dhe pritja ime është që të ketë veprime më pak ndërhyrëse” nga forcat izraelite, tha Biden në Zyrën Ovale.
Qe tre ditë, spitali Shifa ka mbetur pa rrymë dhe ujë, përderisa luftimet me armë zjarri dhe bombardimet jashtë ndërtesës së spitalit e kanë bërë edhe më të vështirë situatën.
“Ne nuk duam të shohim luftime në spitale”, tha këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.
“Ne duam që pacientët të jenë të mbrojtur. Ne duam që spitalet të jenë të mbrojtura. Ne kemi biseduar me Qeverinë izraelite për këtë çështje dhe ata kanë thënë se ndajnë mendimin se nuk duan të shohin luftime në spitale”.
Sullivan tha se nuk ka përgjigje të lehta lidhur me atë se si Izraeli shtyn përpara operacionet ushtarake rreth spitaleve, por shtoi se këto pyetje janë për ushtrinë izraelite e jo për SHBA-në.
Mijëra persona ishin strehuar në spitalin Shifa, por zyrtarët shëndetësorë në Gazë një ditë më herët njoftuan se shumë palestinezë janë zhvendosur nga spitali si pasojë e luftimeve.
Izraeli ka thënë se ka ofruar korridor të sigurt për ata që duan të largohen. Izraeli ka akuzuar se nën spitalin Shifa, Hamasi ka një qendër komanduese.
Hamasi – që nisi sulmet ndaj Izraelit më 7 tetor, që nxitën luftën aktuale – por edhe stafi shëndetësor në Shifa, mohojnë pretendimet e Izraelit.rel
Shtetet e Bashkuara kërkojnë shmangien e luftimeve brenda spitaleve në Rripin e Gazës, të cilat rrezikojnë jetët e civilëve. Uashingtoni i ka shprehur Izraelit qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje, tha të dielën për kanalin televiziv CBS News këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan.
“Shtetet e Bashkuara nuk duan të shohin luftime në spitale ku njerëz të pafajshëm, pacientë që marrin kujdes mjekësor, janë bllokuar në mes të zjarrit dhe ne kemi zhvilluar konsultime aktive me Forcat e Mbrojtjes së Izraelit për këtë”, tha zoti Sullivan në programin televiziv “Face the Nation” të kanalit CBS.
Ushtria izraelite tha se ishte gati të evakuonte foshnjat nga spitali më i madh i Gazës, por zyrtarët palestinezë thanë se njerëzit ishin ende të bllokuar brenda tij, me dy të porsalindur të vdekur dhe dhjetëra të rrezikuar nga një ndërprerje e energjisë elektrike mes luftimeve intensive aty pranë.
Al-Shifa dhe spitalet e tjera në Gazën veriore, objektiva të luftës një mujore të Izraelit për të eliminuar Hamasin dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga militantët, mezi janë në gjendje të kujdesen për pacientët. Çdo ditë ka njoftime për të plagosur nga bombardimet izraelite.
Zoti Sullivan tha se sipas të dhënave “Hamasi po i përdor spitalet dhe shumë objekte të tjera civile si qendra komande, për magazinimin e armëve dhe strehimin e luftëtarëve të tij. Kjo është shkelje e ligjeve të luftës”.
Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë evakuimin e qytetarëve amerikanë nga Gaza.
Agjentët e FBI-së sekuestruan telefona dhe një iPad nga kryetari i bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Eric Adams këtë javë, në kuadër të një hetimi mbi mbledhjen e fondeve për fushatën e tij, konfirmoi avokati i tij të premten.
Konfiskimet ndodhën pas një ngjarjeje të hënën mbrëma, sipas një deklarate nga avokati i kryebashkiakut, Boyd Johnson.
“Të hënën në mbrëmje, FBI iu afrua kryebashkiakut pas një ngjarjeje. Kryetari i Bashkisë e plotësoi menjëherë kërkesën e FBI-së dhe dorëzoi pajisjet e tij elektronike”, thuhet në deklaratë. “Kryetari i bashkisë nuk është akuzuar për ndonjë shkelje dhe vazhdon të bashkëpunojë me autoritetet për hetimin.”
Sekuestrimi i pajisjeve, i raportuar fillimisht nga gazeta New York Times, erdhi disa ditë pasi agjentët federalë kontrolluan shtëpinë e drejtueses për mbledhjen e fondeve të fushatës së zotit Adams, Brianna Suggs, në Bruklin. Kjo shkaktoi anulimin e një udhëtimi të planifikuar të kryebashkiakut në Uashington për takime me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë në Uashington për çështjen e strehimit të imigrantëve në Nju Jork.
Adams, një demokrat, nuk tha asgjë në lidhje me sekuestrimin e telefonave të tij gjatë një konference shtypi të mërkurën dhe tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë shkeljeje ligjore nga anëtarët e ekipit të tij të fushatës.
Në një deklaratë të premten, avokati Boyd Johnson tha se Adams është zotuar se do të bashkëpunojë me hetimin.
“Pasi u mësua për hetimin federal, u zbulua se një individ kishte vepruar së fundmi në mënyrë të papërshtatshme. Në frymën e transparencës dhe bashkëpunimit, kjo sjellje u raportua tek hetuesit”, tha ai, duke mos dhënë detaje të mëtejshme.
Një zëdhënës i prokurorit të Manhattanit nuk pranoi të komentonte.
“Si një ish-anëtar i forcave të zbatimit të ligjit, pres që të gjithë anëtarët e personelit tim të respektojnë ligjin dhe të bashkëpunojnë plotësisht me çdo lloj hetimi – dhe unë do të vazhdoj të bëj pikërisht këtë. Nuk kam asgjë për të fshehur”, tha kryebashkiaku Adams, një ish-kapiten policie, përmes një deklarate.
Objektivi i hetimit nuk është bërë publik nga prokurorët, por në një urdhër kontrolli, të siguruar nga gazeta New York Times, thuhet se autoritetet po bëjnë një hetim mbi dyshimet për një komplot të fushatës së kryebashkiakut Adams me qeverinë turke për të marrë fonde nga burime të huaja, përmes personave ose entiteve vendase.
Kryebashkiaku Adams të mërkurën tha se ai nuk kishte njohuri personale për ndonjë rast të papërshtatshëm të mbledhjes së fondeve dhe nuk besonte se ai kishte arsye për t’u frikësuar nga hetimi. Ndaj zotit Adams dhe zonjës Suggs nuk janë ngritur akuza për shkelje ligji.
Ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton ka folur kundër ish-presidentit të SHBA-ve dhe ish-kundërshtarit të saj në zgjedhjet e vitit 2016 në Amerikë.
Ajo e ka krahasuar Trumpin me ish-diktatorin e Gjermanisë naziste, Adolf Hitler, duke thënë se me rikthimin e tij në pushtet demokracia në SHBA do të marrë fund.
“Hitleri u zgjodh siç duhet në zgjedhje. Por kur dikush me ato prirje, tendenca diktatoriale dhe autoritare vjen në pushtet… Trumpi po na tregon se çfarë ka ndërmend të bëjë”, tha ajo.
Komentet e Clinton erdhën disa ditë pas një raporti të Washington Post që detajonte se si Trump po diskuton se si të përdorë departamentin e drejtësisë për të hetuar rivalët politikë dhe ish-aleatët që kanë qenë kritikë ndaj tij nëse ai kthehet në Shtëpinë e Bardhë.bw
Demokratët arritën të sigurojnë disa fitore të rëndësishme në zgjedhjet e së martës në nivel shtetëror. Në Ohajo një nga çështjet në fletët e votimit ishte dhe ajo e abortit kur zgjedhësit votuan në shumicë për të ndryshuar ligjin e shtetit, duke rivendosur të drejtën për abort. Duket se çështja e abortit ka ndikuar edhe për fitore të tjera të demokratëve, si në Virxhinia ashtu dhe në Kentaki. Zgjedhjet e së martës ofrojnë një pamje të asaj se si mund të dukej terreni politik amerikan përpara garës presidenciale të vitit 2024.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara ndodhen vetëm një vit larg zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, demokratët dhe mbrojtësit e të drejtave të abortit siguruan një sërë fitoresh në zgjedhjet e së martës në disa shtete.
Votuesit e Ohajos miratuan një amendament në ligjin themelor të shtetit që garanton qasjen tek aborti dhe tek forma të tjera të kujdesit shëndetësor riprodhues.
“Aborti është kujdes shëndetësor dhe qasja tek aborti është një e drejtë që garantohet nga ligji themelor i Ohajos. Sonte banorët e këtij shteti u bashkuan për të drejtat riprodhuese dhe vendosën veten e tyre sërish në krye të vendimeve për shtatzëninë dhe abortin”, tha Lauren Blauvelt, Drejtore Ekzekutive e Organizatës për Planifikim Familjar në Ohajo.
Ky zhvillim vjen pas vendimit të vitit të kaluar të Gjykatës së Lartë të vendit, që rrëzoi një vendim të vitit 1972, njohur si çështja “Roe kundër Wade’, e cila kishte ofruar për dekada mbrojtje kushtetuese të së drejtës për abort.
Me hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës së Lartë, Ohajo ishte një prej disa shteteve ku aborti u ndalua me ligj.
Të martën në shtetin e Kentakit, Guvernatori demokrat Andy Beshear u rizgjodh sërish në këtë detyrë falë një fushate përqendruar tek e drejta për abort, pas një ndalimi pothuajse total në nivel shtetëror të abortit.
Votuesit në shtetin e Virxhinias u dhanë një goditje shpresave të Guvernatorit republikan Glen Youngkin për të vënë organin legjislativ shtetëror nën kontrollin e partisë së tij.
Demokratët ruajtën shumicën e brishtë në Senatin e shtetit ndërsa rimorën shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Zoti Youngkin ka propozuar vendosjen e një ndalimi 15-javor të abortit në Virxhinia, përjashtuar rastet e përdhunimit, incestit ose kur jeta e nënës është në rrezik. Marrja e kontrollit të organit legjislativ nga demokratët u jep atyre mundësi që t’i bllokojnë këto përpjekje.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar i tha Zërit të Amerikës se marrëveshjet që Serbia dhe Kosova kanë arritur janë një detyrim ligjor për të dyja palët dhe se nënshkrimi ose jo i tyre, nuk ndikon në detyrimin që ato kanë për t’i zbatuar ato.
Në takimin e fundit me udhëheqësit evropianë në Bruksel, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë projektstatutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Presidenti serb Aleksandar Vuçiç bëri të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de-facto të Kosovës.
I pyetur se si do të vazhdohet më tej pas këtyre qëndrimeve, zoti Escobar tha se këto dy deklarata nuk pasqyrojnë realitetin pasi ato marrëveshje janë të ligjërisht të detyrueshme, gjë që të dy udhëheqësit e kanë pranuar sikurse tha ai.
Po kështu ai tha se të dy udhëheqësit e kanë marrë këtë angazhim përpara Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara dhe se palët kanë detyrime specifike për të ndërmarrë, në rrugën drejt normalizimit; Kosova Asociacionin dhe Serbia njohje e dokumenteve doganore të Kosovës, targave, letërnjoftimeve e të tjera si këto, tha zoti Escobar.
Zyrtari amerikan tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun dhe se ajo që ka mbetur lidhet vetëm me kohën dhe mënyrën se si do t’i zbatojnë të dyja palët detyrimet.
Dorëheqja e Shefit të Agjencisë Serbe të Zbulimit
I pyetur lidhur me dorëheqjen sot të shefit të Agjencisë Serbe të Zbulimit (BIA) Aleksandar Vulin, zoti Escobar tha se ai ka qenë një një figurë jashtëzakonisht destabilizuese në rajon për një kohë të gjatë, gjë mbi të cilën u bazuan edhe sanksionet amerikane.
Lidhur me komentet e Aleksandar Vulinit se ai dha dorëheqjen pasi Uashingtoni dhe Brukseli po e kërkonin një gjë të tillë si parakusht për të mos i vendosur sanksione Serbisë, zoti Escobar tha se “ne (SHBA) nuk marrim vendime në emër të qeverisë serbe”.
Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të enjten një paketë ndihme ushtarake prej gati 14.5 miliardë dollarësh për Izraelin, një mbështetje e fuqishme amerikane ndaj luftës me Hamasin, por edhe një qasje partiake nga kryetari i ri Mike Johnson, e cila përbën një sfidë të drejtpërdrejtë për demokratët dhe Presidentin Joe Biden.
Ndryshe nga e kaluara, paketa e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e kryesuar nga zoti Johnson, kërkon që ndihma urgjente të kompensohet përmes shkurtimit të shpenzimeve qeveritare diku tjetër.
Presidenti Biden ka thënë se do t’i vërë veton projektligjit, i cili u miratua me 226 vota pro dhe 196 kundër, me 12 demokratë që iu bashkuan shumicës republikane. Dy republikanë votuan kundër.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, tha se paketa republikane do t’i sigurojë Izraelit ndihmën e nevojshme për t’u mbrojtur, liruar pengjet e marra nga Hamasi dhe për të çrrënjosur grupin militant palestinez. Ai tha se ligjvënësit po punojnë për të siguruar investime të përgjegjshme dhe zvogëluar madhësinë e qeverisë federale.
Demokratët thanë se kjo qasje do ta vononte ndihmën për Izraelin. Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, ka paralajmëruar se projektligji “jashtëzakonisht joserioz” nuk ka shanse të miratohet në Senat.
Presidenti Joe Biden i ka kërkuar Kongresit një paketë ndihme prej 106 miliardë dollarësh, ku përfshihen ndihmat për Izraelin dhe Ukrainën si dhe fonde për të rritur konkurrencën me Kinën në rajonin e Azi-Paqësorit, si dhe fonde për rritjen e sigurisë përgjatë kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.
Zoti Johnson ka thënë se dëshiron t’i trajtojë çështjet ndarazi, ndërsa do të shqyrtojë më pas ndihmat për Ukrainën dhe çëshjen e sigurisë së kufirit. Në radhët e republikanëve janë shtuar zërat kundër ndihmave për Kievin.
Duke paralajmëruar për veton, Shtëpia e Bardhë theksoi se qasja e zotit Johnson “dështon të përmbushë nevojat urgjente të momentit” dhe se do të krijonte një rast të rrezikshëm duke kërkuar që fondet urgjente të vijnë nga shkurtime diku tjetër.
Shifra në projektligjin e miratuar nga republikanët është e ngjashme me shumën që ka kërkuar zoti Biden, por Shtëpia e Bardhë tha se mospërfshirja e ndihmës humanitare për Gazën është “një gabim i rëndë” ndërsa kriza thellohet.
“Ky projektligj bie ndesh me qasjen normale, qasjen dypartiake për miratimin e ndihmës urgjente për sigurinë kombëtare”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë. Qëndrimi i republikanëve “do të sillte ndërlikime shkatërrimtare për sigurinë tonë gjatë viteve të ardhshme”, thuhet më tej në deklaratë.
Republikanët kanë një epërsi të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve ndërsa demokratët kontrollojnë Senatin. Që të bëhet ligj, një projektpropozim duhet të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat dhe më pas të nënshkruhet nga Presidenti Biden.
Presidenti Joe Biden po përballet me reagimet e disa anëtarëve të Partisë së tij Demokrate për mbështetjen e palëkundur për Izraelin ndërsa siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, ushtria izraelite po zgjeron operacionet tokësore në Gazë dhe numri i viktimave civile palestineze po rritet.
Ndërsa vazhdojnë sulmet ajrore izraelite në Gazë, përfshirë atë në kampin e refugjatëve al-Shati, Këshilli Kombëtar Demokratik Mysliman i ka dërguar një letër Presidentit Joe Biden duke kërkuar që ai të ndërmjetësojë një armëpushim ose të përballet me humbjen e mbështetjes së miliona myslimanëve amerikanë në fushatën për rizgjedhje në vitin 2024.
“Ne e dimë se komuniteti ynë mund të ndryshojë rezultatin në shtetet ku gara për President është e fortë. Unë mendoj se udhëheqësit e Partisë Demokrate po i kushtojnë vëmendje kësaj dhe kanë frikë nga ajo që po ndodh dhe po i dërgojnë mesazhin Shtëpisë së Bardhë se kjo do të dëmtojë shanset tona në zgjedhjet e vitit 2024”, tha Basim Elkarra nga Këshilli Kombëtar Demokratik Mysliman.
Mbi një milion myslimanë hodhën votën në zgjedhjet e vitit 2020, një numër i mjaftueshëm votash që mund të luhasë rezultatin në disa shtete ku garat zgjedhore janë të papërcaktuara.
Myslimanët dhe arabo-amerikanët votojnë tradicionalisht për kandidatët demokratë, por kjo prirje mund të jetë duke ndryshuar.
Një sondazh i ri nga Instituti Arabo-Amerikan tregon se mbështetja për zotin Biden ra tek votuesit e këtij komuniteti, nga 59% sa ishte në zgjedhjet e vitit 2020 në 17%.
“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me komunitetin mysliman, komunitetin arabo-amerikan dhe udhëheqësit palestinezë amerikanë për të dëgjuar shqetësimet e tyre”, thotë Karine Jean-Pierre, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
Në anën tjetër, hebrenjtë amerikanë janë “thellësisht mirënjohës” për mbështetjen e Presidentit Biden për Izraelin.
“Izraeli mbetet një çështje shumë e rëndësishme për votuesit hebrenj. Është një çështje për të cilën ka një lidhje shumë të fortë emocionale midis hebrenjve amerikanë dhe mbështetjes për Izraelin”, thotë Halie Soifer, e cila drejton Këshillin Demokratik Hebre të Amerikës.
Rreth 7 milionë hebrenj jetojnë në SHBA, po aq sa jetojnë edhe në Izrael. Ata përbëjnë 3% të elektoratit amerikan.
Presidenti Biden vlerësohet gjerësisht edhe në Izrael. Ai i ka kërkuar kryeministrit Benjamin Netanyahu që të udhëheqë luftën sipas ligjit ndërkombëtar humanitar për të mbrojtur civilët.
“Ajo që ai po i thotë Izraelit është më ndihmo që të jem në gjendje të të ndihmoj. Nëse bëni përpjekje maksimale për të luftuar sipas ligjeve të luftës, atëherë më lehtësoni mua t’ju mbështes dhe të marr mbështetje për ju në komunitetin ndërkombëtar, në Amerikë dhe në Partinë Demokrate”, thotë Jonathan Rynhold, kreu i Departamentit të Studimeve Politike në Universitetin izraelit Bar-Ilan.
Sondazhet tregojnë se më shumë republikanë sesa demokratë e mbështesin vendimin e zotit Biden për të dërguar armë në Izrael.
“Republikanëve, qoftë (ish-presidenti) Trump, apo atyre të Kongresit, nuk u ka mbetur shumë hapësirë për ta rritur mbështetjen për Izraelin më shumë se Presidenti Biden”, thotë Norman Ornstein nga Instituti “American Enterprise”.
Ndërkohë presioni për një armëpushim po rritet, përfshirë edhe ata që protestuan gjatë seancës dëgjimore të Kongresit të së martës. Zyrtarët amerikanë kanë kërkuar “pauza humanitare” për të lejuar ndihmat të arrijnë te civilët, por thonë se nga një armëpushim në këtë pikë do të përfitojë vetëm nga Hamasi.
Bëri vetëvrasje pasi kreu një masakër që iu kushtoi jetën 18 njerëzve
VOAL- Vrasësi i Maine u gjet i vdekur pasi qëlloi veten në kokë. Këtë e raporton CNN. Trupi i tij u gjet në pyll, jo shumë larg nga Lewiston ku ai kishte kryer masakrën e tij, duke vrarë 18 persona. Seria e vrasjeve u kryen në fund të një historie romantike. Ai do të kishte hapur zjarr në vendet ku frekuentohej me gruan, veçanërisht në një rrugicë bowling dhe një restorant.
Sipas mediave lokale, trupi i Robert Card u gjet jo shumë larg qendrës së riciklimit ku ai punonte. Megjithatë, një punë që ai e kishte humbur kohët e fundit. Një humbje e rëndë që iu shtua – sipas thashethemeve – në fund të një historie sentimentale.
Menjëherë pas masakrës së së mërkurës, policia nisi një gjueti masive. Fillimisht duke gjetur makinën e vrasësit, më pas duke kontrolluar shtëpinë e tij dhe duke skanuar lumin ku Card zotëronte një varkë. Të enjten zona e kërkimit u zgjerua me autoritetet amerikane që alarmuan kolegët e tyre kanadezë duke pasur parasysh afërsinë e kufirit mes dy shteteve dhe frikën se njeriu mund të ikte në Kanada.rsi-eb