VOAL

VOAL

Ekspertët amerikanë: Dialogu Beograd-Prishtinë të sjellë pranimin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia

Ballkani Perëndimor ndeshet sot me shumë rreziqe dhe ka nevojë për një angazhim më të madh nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Ky është përfundimi i një studimi të ri që iu prezantua ditët e fundit në Uashingotn. Autorë të tij janë ish diplomatë të njohur amerikanë, Thomas E. Graham, Jonathan Levitsky, Cameron Munter dhe Frank Wisner. Sipas tyre anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE është mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë ndikimeve negative në rajon nga Rusia, Kina dhe Turqia.

Pjesëmarrësit në diskutimin e zhvilluar në Institutin Amerikan të Paqes shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me zhvillimet negative në Ballkanin Perëndimor. Ambasadori Frank Wisner, ish i dërguar i posaçëm i Departamentit të Shtetit në bisedimet e vitit 2005-2006 mes Prishtinës dhe Beogradit, tha se disa nga rreziqet kryesore sot në Ballkanin Perëndimor janë përkeqësimi i qeverisjes, rreziku i tensioneve etnike, si dhe ndikimi negativ i disa faktorëve të huaj.

“Ndërhyrja destabilizuese e Rusisë, në veçanti, shtimi i pranisë kineze, të cilët megjithëse ende nuk kanë shpallur një kurs të qartë politik për Ballkanin, përmes investimeve, janë në rrugë për t’u bërë një aktor serioz në rajon pa përfillur fare standartet evropiane dhe parimet e perëndimit. Edhe Turqia, me modelin e saj të një vendi autoritar islamik paraqet një sfidë për të ardhmen transatlantike të Ballkanit. Të gjithë këta faktorë janë të rinj dhe në qendër të vëmendjes sonë”.

Ish-diplomati amerikan, Jonathan Levitsky, ish ndihmës i të dërguarit amerikan për Ballkanin Richard Holbrooke, theksoi se rënia e angazhimit diplomatik të Perëndimit në rajon në vitet e fundit është shqetësuese.

“Në një masë të madhe vëmendja diplomatike amerikane është larguar nga rajoni, duke filluar pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Synimi ynë nuk është që të kthehemi në të njejtin nivel angazhimi në Ballkan si në fund të viteve 1990. Shpresojmë që kjo kurrë të mos jetë e nevojshme. Por, një angazhim relativisht i vogël sot mund të ketë një ndikim të madh në parandalimin e përkeqësimit të gjendjes dhe nevojën për një angazhim shumë më të madh në të ardhmen”.

Boshllëku i krijuar nga mungesa e një angazhimi të nivelit të lartë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në dhjetë vitet e fundit, po shfrytëzohet nga vendet si Rusia, Kina dhe Turqia, thotë ish këshilltari i presidentit George Bush për çështjet e Rusisë Thomas Graham, sot me organizatën “Kissinger Associates Inc.”

“Një angazhim në një nivel më të lartë nga Perëndimi është një element i rëndësishëm kundër këtyre ndikimeve, duke i dhënë banorëve të rajonit shpresën se ekziston një alternativë, se Perëndimi është i interesuar për rajonin, se ekzsiton një rrugë për të ecur përpara që do të sjellë më shumë siguri, qëndrueshmëri dhe begati në rajon në aspektin afatgjatë”.

Pjesëmarrësit në këtë diskutim thanë se shtimi i përpjekjeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe në Nato është gjithashtu një mënyrë e efektshme për t’iu kundërvënë ndikimit negativ nga jashtë. Në këtë kontekst, ambasadori Frank Wisner tha se Uashingtoni dhe Brukseli duhet të ndihmojnë vendet e Ballkanit të zgjidhin problemet mes tyre dhe mos ta pengojnë njëri-tjetrin në procesin e integrimeve euro-atlantike. Zoti Wisner tha se duhet t’i jepet një shtytje më e madhe dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ne kemi thënë në mënyrë shumë të qartë se nuk duhet të lejohet asnjë vend i ri i Bashkimit Evropian të ketë të drejtën e vetos në lidhje me anëtarësimet e ardhshme. Pra, që Serbia të mos jetë në gjendje të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në BE. Unë e di që ky është edhe qëndrimi i kancelares gjermane Angela Merkel dhe ne gjithashtu jemi plotësisht dakord me këtë qëndrim”.

Në Raportin “Koha për Veprim në Ballkanin Perëndimor – Rekomandime për Diplomacinë Amerikane”, theksohet se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës duhet të sjellë si rezultat pranimin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Në raport, autorët rekomandojnë që KFOR-i të vazhdojë praninë në Kosovë, por një bazë e përhershme ushtarake e Natos ose e Shteteve të Bashkuara nuk do të ishte e nevojshme sepse do të provokonte Serbinë dhe Rusinë. Raporti gjithashtu rekomandon krijimin e një force mbrojtëse të Kosovës, të armatosur lehtë.

Trump: Haspel objekt sulmesh se ka qënë e ashpër ndaj terroristëve

Presidenti Donald Trump thotë se e zgjedhura prej tij për postin e Drejtoreshës së Agjencisë Qendrore të Zbulimit, Gina Haspel, “është bërë objekt sulmesh, sepse ka qenë shumë e ashpër me terroristët”.

Presidenti shkroi një tweet të hënën në mëngjes, pas njoftimit në media, se Haspel kishte ofruar javën e kaluar dorëheqjen nga kandidatura e saj, për shkak të shqetësimit të zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë për rolin që kishte patur në metodat e ashpëra të marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm.

“Mendoni që në këto kohë shumë të rrezikshme, ne kemi njeriun më të kualifikuar, një grua që demokratët nuk e duan, sepse është shumë e ashpër ndaj terroristëve. Dil fitimtare Gina!”– shkruan Presidenti.

((https://twitter.com/realDonaldTrump/status/993446539988217857 ))

Siç njoftoi fillimisht gazeta The Washington Post, Haspel kishte dyshime se mund të zhvillohet një seancë konfirmimi në Senat me pyetje të ashpëra, për të cilën ajo mendon se mund të dëmtojë jo vetëm CIA-n, por edhe reputacionin e saj.

Sipas njoftimit të mediave, zyrtarë të lartë të administratës Trump, nxituan për t’u takur me zonjën Haspel në zyrën e saj në CIA, për të diskutuar lidhur me shqetësimet e saj dhe deri mbrëmë në darkë, emërimi i saj mbetet në fuqi.

“Emërimi i saj nuk ka për t’u përmbysur nga kritikë partiakë, të cilët mbajnë anën e Unionit Amerikan për të Drejta Civile lidhur me mënyrat se si CIA ruan sigurinë e popullit amerikan.”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Raj Shah.

Seancat e konfirmimit të zonjës Haspel fillojnë të mërkurën. Gina Haspel është aktualisht drejtoreshë në detyrë e CIA-s dhe veterane që prej 33 vjetësh e agjencisë së zbulimit.

Megjithëse shumë prej aktiviteteve të saj këto vite janë sekrete, organizata libertariane siç është Unioni Amerikan për të Drejtat Civile dhe një numër i madh demokratësh, thonë se ajo nuk duhet kualifikuar për këtë post, pasi ka drejtuar një qendër për marrjen në pyetje në Tajlandë.

Dy të dyshuar si terroristë islamikë ju nënnshtruan metodave të rënda të marrjes në pyetje, më konkretisht, praktikës së simulon ndjesinë e mbytjes, për të cilën kritikët thonë se është një formë torture.

Agjencia “Associated Press” njoftoi se në takimet e saj me senatorët në prag të seancave të konfirmimit, Haspel i siguroi ata se si drejtoreshë e CIA-s, ajo do t’i kundërshtonte teknika të tilla brutale. Mundet që ajo t’i përsërisë këto garanci gjatë seancave dëgjimore të së mërkurës.

Një zëdhënës i CIA-s tha se ligjvënësit dhe publiku do të kenë rastin të njohin “Gina Haspelin e vërtetë” të mërkurën dhe të shohin, sipas zëdhënost, se ajo është një person i admirueshëm, që do të bëhej një shefe zbulimi e shkëlqyer.

Hawaii, mbi 1 700 persona të evakuuar nga shpërthimi i vullkanit

Zyrtarët thanë se 26 shtëpi janë shkatërruar në rajonin Leilani Estates, katër ndërtesa kanë ngelur nën llavë dhe më shumë se 1.700 persona janë shpërngulur në vende të sigurta

PAHOA – Më shumë se 1.700 njerëz janë evakuuar për shkak të llavës, shkëmbinjve dhe gazit toksik që lëshoi vullkani i Kilauea në shtetin e Hawaiit i cili u aktivizua javën e kaluar.

Zyrtarët thanë se 26 shtëpi janë shkatërruar në rajonin Leilani Estates, katër ndërtesa kanë ngelur nën llavë dhe më shumë se 1.700 persona janë shpërngulur në vende të sigurta.

Siç bëhet e ditur, llava e nxjerrë nga vullkani ka shkuar deri në 61 metra dhe është përhapur në një sipërfaqe prej 36 mijë metrash katrorë, ndërsa edne nuk dihet se sa do të zgjasë rrjedha e llavës.

Po ashtu, shkëmbinj të shkrirë, gaz helmues dhe avull është paraqitur edhe nga çarjet e shkaktuara në tokë nga vullkani.

Ndryshe, Vullkani Kilauea është një nga vullkanët më aktivë në botë. Në këtë vullkan ndodhin shpërthime që nga viti 1983. aa

Britania kërkon që Shtetet e Bashkuara të mos heqin dorë nga marrëveshja me Iranin

Sekretari i Jashtëm britanik, do të përpiqet të ndikojë tek administrata e presidentit Donald Trump, që të mos heqë dorë nga marrëveshja e arritur në vitin 2015 ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore për kufizimin e programit bërthamor iranian, në shkëmbim të lehtësimit të sanksioneve

Sekretari Boris Johnson takohet të hënën me nënpresidentin amerikan, Mike Pence dhe këshilltarin për Siguri Kombëtare, John Bolton.

“Partnerët britanik, amerikan dhe evropian janë gjithashtu të bashkuar në përpjekjet për të trajtuar sjelljen iraniane që e bën rajonin e Lindjes së Mesme më pak të sigurt – aktivitetet kibernetike, mbështetjen e tij për grupe si Hezbollahu, programin e rrezikshëm raketor dhe armatosjen e milicisë Houthit në Jemen “, tha sekretari Johnson para vizitës së tij.

Presidenti amerikan, Donald Trump, kritik i shpeshtë i asaj që ai e quan marrëveshje të mangët, tha se do të vendosë deri më 12 maj nëse Uashingtoni do të vazhdojë t’i përmbahet marrëveshjes bërthamore.

Britania, Kina, Franca, Rusia, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara negociuan marrëveshjen me Iranin midis pretendimeve se Irani po punonte për zhvillimin e armëve bërthamore. Irani vazhdimisht mohoi pretendimet e tilla. ndërsa ka theksuar se ka të drejtë të zhvillojë programin e raketave balistike për qëllime mbrojtjeje.

Presidenti iranian Hassan Rouhani tha të dielën gjatë një fjalimi të transmetuar në televizion që “nëse Shtetet e Bashkuara largohen nga marrëveshja, do të pendohen si kurrë më parë në histori”.

Ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara, Kim Darroch, tha të dielën në një intervistë me rrjetin CBS, se sekretari Johnson dhe presidenti Trump biseduan të shtunën në telefon për marrëveshjen bërthamore dhe se presidenti ende nuk e ka marrë vendimin e tij përfundimtar.

“Nuk është një marrëveshje e përkryer, asnjë marrëveshje nuk është kurrë e përsosur dhe presidenti është i shqetësuar me të drejtë për aktivitetet rajonale të Iranit, të cilat janë të dëmshme për sigurinë dhe qëndrueshmërinë “, tha ambasadori Darroch.

Problemet ligjore të Presidentit Trump

Jim Malone

Presidenti Donald Trump duket se po irritohet gjithnjë e më tepër nga sfidat e tij ligjore të cilat po tërheqin vëmendjen nga arritjet ekonomike dhe të politikës së jashtme. Trump iu ankua gazetarëve të premten se pyetjet rreth pagesës së aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels, dhe në lidhje me hetimet mbi ndikimin rus në zgjedhjet presidenciale, heqin vëmendjen nga sukseset ekonomike dhe zhvillimet që kanë zgjuar shpresat për një zgjidhje të mundshme me marrëdhëniet me Korenë e Veriut.

Presidentit Trump iu desh të përballej përsëri të premten me pyetjet rreth problemeve të tij ligjore.

“Ky vend tani po ecën aq mirë, dhe ju po merreni me gjueti shtrigash gjatë gjithë kohës … vetëm për këtë doni të flisni” tha presidenti.

Trump vuri në pikëpyetje deklaratat e fundit nga avokati i tij i ri, Rudy Giuliani. Giuliani pati konfirmuar se presidenti kishte kompensuar avokatin personal Michael Cohen për pagesë që i dha aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels.

Giuliani foli për rrjetin Fox News.

“Kjo ishte për arsye personale. Presidenti ishte lënduar personalisht, jo politikisht, personalisht, po ashtu edhe zonja e parë, nga disa prej njoftimeve të rreme” tha ish-kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut.

Stormy Daniels ka thënë se pati një lidhje të shkurtër me Donald Trump në vitin 2006, gjë që presidenti e ka mohuar.

Muajin e kaluar, Trump mohoi se kishte qenë në dijeni të pagesës për Daniels.

Para Shtëpisë së Bardhë të premten, Trump kundërshtoi deklaratën e Rudy Giulianit.

“Rudy e di se është gjueti shtrigash. Ai filloi punë dje. Do ta marrë informacionin e duhur. Është njeri i mirë”.

Trump gjithashtu u tha gazetarëve se ai është i gatshëm të flasë me prokurorin e posaçëm Robert Mueller, për sa kohë që do të trajtohet në mënyrë të drejtë.

Por ndryshimet e vazhdueshme në shpjegimet që janë dhënë rreth problemeve ligjore të presidentit, vënë në pikëpyetje besueshmërisë e dëshmive që mund të japë presidenti në të ardhmen, thotë analisti ligjor Paul Schiff Berman.

“Nëse ndonjë prej këtyre procedurave gjyqësore vazhdon, deri në pikën ku presidentit i duhet të japë dëshmi, kjo në vetvete ka të ngjarë të bëhet problem për të” thotë analisti.

Të enjten, Trump bisedoi me udhëheqës fetarë në Shtëpinë e Bardhë.

Shumë të krishterë evangjelistë, përfshirë të përndershmin Franklin Graham, i mbeten besnikë presidentit, pavarësisht akuzave që vënë në pikëpyetje karakterin e tij.

“Unë nuk mendoj se ai u bë president gabimisht. Unë mendoj se Perëndia e ka vënë atë në këtë pozitë” thotë ai.

Sfidat ligjore të presidentit duket se e kanë thelluar ndarjen politike në vend gjatë udhëheqjes së tij, thotë vëzhguesi politik John Fortier.

“Të dyja palët i përmbahen me forcë qëndrimit të tyre. Unë sigurisht mendoj se nuk është mirë për presidentin të ketë të bëjë me këtë hetim, por mendoj se asnjëra palë nuk po ndryshon mendim. Nuk ka dalë asgjë e re që të bëjë ndonjërën nga palët të ndryshojë mendim dhe asnjë nga ne nuk e di sa mund të zgjasin hetimet”.

Sikur për të ilustruar ndasitë politike, presidenti Trump mori një pritje të ngrohtë gjatë takimit të Shoqatës Kombëtare të Armëve (NRA) në Dallas të premten, një kujtesë se baza e tij politike vazhdon ta mbështesë, pavarësisht shqetësimeve në rritje rreth rrezikut ligjor me të cilin ai mund të ballafaqohet.

Pompeo: “Diplomaci muskuloze”, ja cilat janë përparësitë amerikane, nuk përmendet Ballkani

Koreja e Veriut, Evropa dhe Lindja e Mesme janë pikat gjeostrategjike që Sekretari i ri i Shtetit, Mike Pompeo shikon si rajonet në fokusin qendror të politikës së jashtme amerikane.

Shefi i ri i diplomacisë amerikane mbajti një fjalim para institucionit që drejton, në Ditën e Punëve të Jashtme të Departamentit të Shtetit, ku vlerësoi atë që e cilësoi si “diplomaci muskuloze” që ndjek Presidenti Trump.

Sekretari Pompeo tha se politika e jashtme amerikane duhet të jetë më “praktike, por duke ruajtur parimet”. Një diplomaci e fortë, tha ai, e ktheu Korenë e Veriut në tryezën e bisedimeve, gjë që do të eliminojë kërcënimin bërthamor nga ky vend.

Pompeo foli për nevojën për diplomaci më të fortë në Lindjen e Mesme për të mos lejuar që “Irani të destabilizojë më tej Sirinë dhe Jemenin”.

Mike Pompeo, në detyrën e re si shef i diplomacisë amerikane ndeshet me një numër sfidash ndër të cilat përgatitjet për takimin mes Presidentit Trump dhe Kim Jong Unit, si dhe marrëdhëniet me Rusinë që aktualisht ndodhen në një pikë të dobët.

Ish-presidenti Bush lirohet nga spitali

Ish-presidenti amerikan, George H.W Bush

Ish-presidenti amerikan, George H.W. Bush, 93-vjeç ka dalë nga një spital në Hjuston, ku qëndroi për rreth dy javë, dhe u trajtua për një infeksion që ishte shpërndarë në gjakun e tij, tha zëdhënësi i familjes.

Bush ishte shtrirë në një spital në Hjuston më 22 prill, vetëm një ditë pasi morri pjesë në funeralin e gruas së tij, Barbara, e cila ndërroi jetë më 17 prill. Çifti kanë qenë të martuar për 73 vjet.

“Doktorët kanë thënë se ai është mirë dhe është i lumtur që është kthyer në shtëpi”, ka shkruar në Twitter, zëdhënësi i familjes, Jim McGrath.

Bush, që ka shërbyer si president i Shteteve të Bashkuara nga viti 1989 deri më 1993, kishte qëndruar në të njëjtin spital edhe një vit më parë, pasi ishte diagnostifikuar me pneumoni.

Bush është babai i ish-presidentit George W.Bush, i cili ka shërbyer për dy mandate në postin e presidentit nga vitit 2001 deri më 2009 dhe i ish-guvernatorit të Floridës, Jeb Bush, i cili nuk arriti të merrte nominimin e Partisë Republikane në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Papunësia në SHBA bie nën 4%

Papunësia në Shtetet e Bashkuara ka rënë nën 4 përqind në muajin prill, si rezultat i hapjes së 164,000 vendeve të reja të punës, tha Departamenti amerikan i Punës.

Norma prej 3.9% është rënie prej 4.1% – shifër që ka qëndruar prej muajit nëntor.

Vendet e reja të punës në prill janë hapur kryesissht në shërbime të biznesit, prodhim, kujdes shëndetësor dhe miniera, tha Byroja për Statistika e Departamentit të Punës.

Papunësia në SHBA, bazuar në anketën mujore të Zyrës së Ekonomive Familjare, ka rënë ndjeshëm që prej kulmit të saj prej 10% në vitin 2009.

Trump: është caktuar data dhe vendi për takimin me Kim Jong Un-in

Presidenti amerikan Donald Trump tha të premten se është përcaktuar vendi dhe data, për takimin e planifikuar me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un.

Tashmë kemi një datë dhe një vend“, u tha zoti Trump gazetarëve përpara Shtëpisë së Bardhë, ndërsa po nisej për në qytetin jugor të Dallasit, në Teksas. Ai shtoi se detajet e takimit historik do të shpallen së shpejti.

Zoti Trump tha se Uashingtoni dhe Pheniani janë angazhuar në “bisedime shumë domethënëse” si dhe shtoi se “tashmë kanë ndodhur shumë zhvillimet në lidhje me çështjen e pengjeve”, duke lënë të kuptohet se Koreja e Veriut mund t’i lëshojë së shpejti tre amerikano-koreanët e burgosur.

Më parë gjatë kësaj jave ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Rudy Giuliani, i cili sapo është bërë pjesë e ekipit ligjor të zotit Trump, tha se amerikanët priteshin të liroheshin nga një kamp pune të enjten (3 Maj). Qeveria amerikane po shqyrton njoftimet se kohët e fundit pengjet janë zhvendosur nga një kamp pune, në një hotel pranë kryeqytetit të Phenianit.

Tony Kim dhe Kim Hak-Song, jepnin mësim në universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë të Phenianit, i vetmi universitet privat në vend. Ata u arrestuan veçmas në vitin 2017 dhe u akuzuan për pjesëmarrje në veprimtari anti-shtetërore si dhe përpjekje për të përmbysur qeverinë.

I burgosuri i tretë, Kim Dong-Chul, u arrestua në Rason, në verilindje të Koresë së Veriut, në tetor 2015. Ai u dënua në 2016 me 10 vjet punë të rëndë në burg, i akuzuar për spiunazh.

SHBA akuzon Kinën: U ka drejtuar lazerë pilotëve amerikanë

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar zyrtarisht Kinën për një sërë incidentesh të pilotëve të saj, të cilët janë shprehur të irrituar nga disa lazerë që sipas tyre vinin nga një bazë kineze në Xhibuti.

Pentagoni i ka kërkuar Kinës që të hetojë mbi atë që ata e quajtën “incidente shumë serioze”.

Thuhet se njerëzit në bazë në Afrikën lindore, kishin drejtuar lazerat ushtarakë pilotëve amerikanë, të cilët por kryenin uljen në vend.

Në një rast, dy pilotët pësuan lëndime të vogla në sy, deklaruan zyrtarët.

SHBA ka një bazë ushtarake në Xhibuti në Bririn e Afrikës, i cili përdoret për operacionet kundër terrorizmit në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.

Vitin e kaluar, Kina hapi bazën e saj ushtarake të parë jashtë shtetit vetëm pak kilometra nga objekti i SHBA-ve.

Pentagoni tha se njerëzit në bazë kishin parë sesi lazer ushtarakë u ishin drejtuar pilotëve amerikanë ndërsa uleshin në tokë.

“Ato janë incidente shumë serioze. Ne kemi njoftuar qeverinë kineze dhe kemi kërkuar që kinezët të hetojnë këto incidente”, tha zëdhënësja e Pentagonit Dana White për gazetarët.

White shtoi se  Pentagoni ishte i bindur se ndërsa qëllimi ishte i paqartë, lazerët ishin drejtuar nga shtetas kinezë. Në javët e fundit, kanë ndodhur rreth 10 incidente të tilla.

Teksa Kina nuk ka komentuar lidhur me situatën dhe akuzat e bëra ndaj saj.

Pagesat për aktoren, komenton Presidenti Trump

Presidenti i SHBA, Donald Trump konfirmoi të enjten pagesën e një shume prej 130 mijë dollarësh për aktoren e filmave për të rritur, Stormy Daniels, pak para zgjedhjeve të vitit 2016 lidhur me akuzat rreth një çështje dhjetëvjeçare me të. Presidenti tha ndërkohë se pagesa nuk përfshinte fonde të fushatës.

Presidenti Trump pohoi se ka rimbursuar avokatin e tij personal, Michael Cohen, në formë pagesash mujore, pasi zoti Cohen kishte paguar aktoren e filmave për të rritur që ajo të mos fliste rreth pretendimeve se kishte kaluar një natë me zotin Trump në vitin 2006.

Sipas aktores Stormy Daniels, bëhej fjalë për një natë në një hotel të Nevadës, disa muaj pasi bashkëshortja e zotit Trump kishte lindur djalin e tyre.

Në një varg komentesh në Twitter, Presidenti shkruante sot se paratë e paguara për zotin Cohen ishin “jo nga fushata” dhe nuk kishin “fare lidhje me fushatën”.

Sipas presidentit Trump, marrëveshja e arritur me 39-vjeçaren Daniels për të mos folur rreth çështjes është “diçka shumë e zakonshme midis njerëzve të famshëm dhe të pasur”. Ai shtoi se kjo do të përdorej në arbitrazh për të kërkuar dëmshpërblim nga zonja Daniels, pasi javët e fundit ajo ka dhënë intervista në media.

Nga ana e saj, zonja Daniels ka thënë se marrëveshja nuk është e vlefshme sepse nuk është nënshkruar nga zoti Trump.

Një nga avokatët e zotit Trump, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudy Giuliani, ishte i pari që zbuloi për mediat se zoti Trump e kishte rimbursuar avokatin e tij privat Cohen.

Zoti Giuliani tha gjithashtu sot se pagesa për zonjën Daniels që ajo të mos fliste erdhi në një moment delikat në fushatën e kandidatit Trump, pak para zgjedhjeve të 8 Nëntorit 2016 kundër rivales demokrate Hillary Clinton. “Cohen bëri punën e tij,” tha zoti Giuliani.

Konfirmimi i Presidentit Trump për rimbursimin e zotit Cohen bie në kundërshtim me komentet e bëra më parë prej tij në lidhje me pagesën.

Një muaj më parë, në një intervistë në avionin presidencial, ai mohoi të kishte dijeni për pagesën që Cohen kishte bërë për zonjën Daniels.

“Për këtë duhet të pyesni zotin Michael Cohen, ai është avokati im,” tha në akohë Presidenti Trump.’

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders iu shmang sot një pyetjeje lidhur me mospërputhjen mes pohimit të bërë nga presidenti në avion dhe deklarimeve të zotit Giuliani rreth pagesave të zotit Trump për avokatin e tij Cohen.

Giuliani pohon: Presidenti ka patur dijeni për pagesën ndaj aktores

Avokati i presidentit Donald Trump, Rudy Giuliani, tha të mërkurën se zoti Trump e rimbursoi avokatin e tij personal me 130 mijë dollarë që u përdorën për të zgjidhur çështjen me aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels.

Aktores iu dhanë paratë në prag të zgjedhjeve të vitit 2016 për të heshtur rreth marrëdhënies së saj të dyshuar me zotin Trump.

Komentet e zotit Giuliani në emisionin “Hannity” të kanalit Fox News ishin në kundërshtim të drejtpërdrejtë me deklaratat e mëparshme të zotit Trump, ku ai thoshte se nuk kishte dijeni për çështjen.

Rudy Giuliani, avokat i Presidentit Trump

“Këto ishin para të paguara nga avokati i tij, nga fondet e firmës së tij apo çfarëdo fonde, nuk ka rëndësi. Presidenti e rimbursoi këtë shumë për një periudhë prej disa muajsh.”

Por, një muaj më parë, Presidenti Trump tha se nuk kishte dijeni për pagesën ndaj zonjës Daniels si pjesë e një marrëveshjeje të arritur pak ditë para zgjedhjeve presidenciale, që ajo të mos fliste në publik rreth marrëdhënies që thoshte se kishte patur me të.

Gazetari: A keni dijeni për pagesën prej 130 mijë USD për Stormy Daniels?

Presidenti: Jo.

Gazetari: Atëherë pse e bëri pagesën Michael Cohen, nëse akuzat nuk ishin të vërteta?

Presidenti: Duhet të pyesni Michael Cohen. Ai është avokati im.

Por avokati i zotit Cohen thotë se klienti i tij ka në plan të ushtrojë të drejtën e tij të Amendamentit të Pestë kundër vetë-inkriminimit në padinë e ngritur kundër tij nga zonja Daniels.

Cohen vendosi të ushtrojë të drejtën kundër vetë-inkriminimit pas bastisjes që FBI-ja i bëri shtëpisë, zyrës dhe dhomës së tij të hotelit muajin e kaluar.

Me këtë bastisje, autoritetet kërkonin dokumente që lidheshin me zonjën Daniels dhe çështje të tjera.

Zonja Daniels, emri i vërtetë i së cilës është Stephanie Clifford, ka paditur zotin Cohen për shpifje, pasi ai kishte lënë të kuptohej se ajo gënjeu rreth marrëdhënies së dyshuar me zotin Trump.

Trump: Koreja e Veriut do të lirojë 3 shtetasit e burgosur amerikanë

Aktivisti koreanojugor Choi Sung-yong tha se shtetasit amerikanë në Korenë e Veriut në fillim të këtij muaji janë zhvendosur nga kampi me punë të detyruar në një hotel

SEUL – Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka njoftuar se Koreja e Veriut së shpejti do të lirojë tre htetasit e burgosur amerikanë.

Trump përmes Twitterit ka bërë të ditur se Koreja e Veriut është e gatshme të lirojë tre “pengjet” amerikane duke u lavdëruar se ky ishte një mision i pamundur për administratën e paraardhësit të tij Barack Obama.

Më herët aktivisti koreanojugor Choi Sung-yong ka thënë se shtetasit amerikanë në Korenë e Veriut në fillim të këtij muaji janë zhvendosur nga kampi me punë të detyruar në një hotel.

Kim Hak-song, Tony Kim dhe Kim Dong-chul janë shtetasit amerikanë të arrestuar në Korenë e Veriut në periudhën nga viti 2015 deri në vitin 2017, ndërkohë që Pheniani zyrtar i akuzon ata për aktivitete armiqësore dhe spiunazh.

Për disa javë pritet takimi historik midis Presidentit amerikan Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, nga i cili pritet t’i jepet fund kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut dhe krizës në Gadishullin Korean. aa

Trumpi ia ka kthyer paratë avokatit që ka paguar aktoren pornografike

Presidenti Donald Trump dhe aktorja Stormy Daniels

 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ia ka kthyer personalisht avokatit të tij 130,000 dollarë, të cilat janë përdorur për të “blerë” heshtjen e aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels, në lidhje me një aferë të dyshuar, tha ndihmësi ligjor i Trumpit, Rudy Giuliani.

Ky pohim duket se bie në kundërshtim me Trumpin, i cili ka thënë se nuk ka ditur për pagesën që i ka bërë avokati Michael Cohen Danielsit, përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

Trump po ashtu ka mohuar se ka pasur aferë me Danielsin në vitin 2006 – ashtu siç pretendon kjo e fundit.

Giuliani tha se nuk janë përdorur financat e fushatës dhe se shlyerja e borxhit është bërë “për një periudhë prej disa muajsh”.

Sekretari i ri i shtetit, Pompeo, bën betimin (video)

Presidenti Trump vlerësoi lart aftësitë e sekretarit të ri të shtetit Mike Pompeo. Ai i bëri komentet në ceremoninë e betimit të zotit Pompeo sot në Departamentin e Shtetit në Uashington.

Presidenti Trump e quajti zotin Mike Pompeo një patriot të vërtetë. Ai tha se zoti Pompeo meritoi respektin dhe admirimin e të gjithëve kur punonte si drejtor i Agjencisë Qendrore të Zbulimit.

Presidenti, i cili e viziton Departamentin e Shtetit për herë të parë që nga ardhja në detyrë, shprehu besimin se zoti Pompeo do ta realizojë me sukses misionin e lartë për të mbikqyrur dhjetëra mijëra diplomatët amerikanë në të gjithë botën.

Nga ana e tij Sekretari i Shtetit e quajti një shans të pashembullt faktin që një nga detyrat e tij të para në postin e ri do të jenë negociatat e pritshme me Korenë e Veriut.

POMPEO, NJË NXITJE PËR DIPLOMACINË AMERIKANE?

Pompeo, ka premtuar t’i japë një nxitje diplomacisë amerikane dhe të ndihmojë që Departamenti i Shtetit të rifitojë besimin.

Dje, qindra punonjës të Departamentit të Shtetit e përshëndetën me entuziazëm sekretarin e ri të shtetit.

Morali në këtë agjenci ka rënë nën kërcënimin e shkurtimeve të mëdha të buxhetit, ndërkohë që me dhjetra poste kyçe dhe ambasadoriale janë lënë të paplotësuara nën paraardhësin e tij, ish sekretarin Rex Tillerson.

Pompeo u prit me entuziazëm të madh nga punonjësit e agjencisë. Zëvendës sekretari i shtetit John Sullivan tha se zoti Pompeo përfaqëson një kombinim të rrallë aftësish:

“Ne kemi një komandant tankesh, i cili studioi pastaj drejtësi në Harvard ku u zgjodh edhe në bordin e Revistës ‘Harvard Law’”, tha zoti Sullivan.

Zëvendës sekretari i shtetit tha se zoti Pompeo do të jetë një rival i vështirë për kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara. Pompeo e filloi punën në avion, vetëm disa orë pasi u konfirmua nga senati, pa e parë ende zyrën e tij elegante në katin e shtatë.

“Thashë në dëshminë time se do të shpenzoj pak kohë në katin e shtatë – bëhet fjalë për katin e shtatë, apo jo? Do të shkoj atje pas pak,” tha zoti Pompeo.

Ai tha se ka në plan të udhëtojë shumë dhe t’u japë një nxitje diplomatëve të karrierës kudo në botë:

“Trupi diplomatik i Shteteve të Bashkuara duhet të jetë në çdo cep të botës, duke kryer misione në emër të këtij vendi dhe është detyra ime e ndershme të ndihmoj që kjo të arrihet.”

Pas komenteve të para për punonjësit e Departamentit të Shtetit, Pompeo u përzie mes tyre, duke u ndalur për të bërë “selfies”, në kontrast të dukshëm me paraardhësin e tij të drojtur, Rex Tillerson.

Eksperti i politikës së jashtme Nil Gardiner thotë se Pompeo do të sjellë një diplomaci të fuqishme:

“Mendoj se ai do të jetë një prani shumë më e madhe në skenën botërore sesa Rex Tillerson. Mike Pompeo është njeri që, mendoj se dëgjohet shumë nga presidenti.”

Por eksperti Thomas Hill thotë se Pompeo do të ketë një detyrë të vështirë:

“Unë do të thosha se ai duhet të shkojë më tej sesa të rikthejë besimin. Ai duhet të bëjë modernizimin e departamentit, ndërkohë që do t’i duhet të merret me betejat me agjencitë e tjera që do të vijnë në mënyrë të pashmangshme, si dhe me problemet normale të diplomacisë ndërkombëtare, si Irani, Koreja e Veriut, Rusia, e të tjera”.

Bornstein: Trumpi shkroi vetë raportin mjekësor

Ish-mjeku i presidentit amerikan, Donald Trump ka thënë se ai nuk e ka shkruar një letër në vitin 2015, e cila tregonte se kandidati i atëhershëm presidencial kishte “shëndet të përkryer”, kanë raportuar mediat amerikane.

Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar lidhur me këtë akuzë.

Harold Bornstein po ashtu ka thënë se personeli i sigurisë së Trumpit ka “bastisur” zyrat e tij në shkurt të vitit 2017, duke larguar të gjitha raportet mjekësore të Trumpit.

Në një intervistë për CNN, Bornstein ka thënë se letra e vitit 2015, në të cilën thuhej se Trump do të ishte “personi më i shëndetshëm që do të mund të fitonte postin e presidentit” nuk ka qenë raport profesional.

Ende nuk është bërë e qartë pse Bornstein është duke bërë tani këto pretendime.

Muelleri mund ta detyrojë Trumpin të përballet me hetuesit

Donald Trump dhe Robert Mueller

 

 

 

Këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller, paralajmëroi se mund të lëshojë urdhëresë zyrtare për presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që të paraqitet përpara një jurie të madhe, në lidhje me hetimet për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet në SHBA, raportojnë mediat amerikane.

Mueller foli për këtë punë gjatë bisedimeve me avokatët e Trumpit në muajin mars.

Ai tha se urdhëresa do ta detyronte presidentin të përballej me hetuesit, raporton Washington Post.

Besohet se është hera e parë që Mueller ngre mundësinë e detyrimit të Trumpit për të dëshmuar.

Gazeta New York Times publikoi të hënën dhjetëra pyetje që Mueller u ka dhënë avokatëve të Trumpit.

Pyetjet, mes tjerash, kanë të bëjnë me motivet e Trumpit për të shkarkuar drejtorin e FBI-së, James Comey, në maj të vitit të kaluar, dhe me kontaktet e fushatës së Trumpit me zyrtarët rusë.

Trump tha se “është e turpshme” që lista e pyetjeve që Mueller dëshiron t’ia shtrojë atij, ka “rrjedhur” në media.

Senatori McCain kritikon ashpër Presidentin Trump

Senatori amerikan John McCain, i cili vazhdon betejën me kancerin në tru, kritikoi ashpër Presidentin Donald Trump, që ai thotë se nuk po u përmbahet vlerave amerikane.

Në një libër lamtumire me kujtime, senatori thotë se Presidenti Trump “nuk ka pranuar të bëjë dallimin mes veprimeve të qeverisë sonë dhe krimeve të qeverive despotike”.

Libri i 81-vjeçarit McCain titullohet “Vala e pandalshme: Kohë të mira, kauza të drejta, luftra të mëdha dhe vlerësime të tjera.”

McCain, ish i burgosur lufte në Vietnamin e Veriut në vitet 1960, ish kandidat republikan që humbi garën për president në vitin 2008 dhe i zgjedhur gjashtë herë si senator i shtetit Arizona, thotë se nuk ndien keqardhje për faktin që ky do të jetë mandati i tij i fundit në Senat, për shkak të sëmundjes.

McCain shkruan: “Unë jam njeri më i lirë sesa kolegët që do të përballen përsëri me votuesit. Mund të them atë që kam në mendje pa pasur shumë frikë për pasojat. Mund të votoj sipas ndërgjegjes sime pa u shqetësuar.”

“Por nuk mendoj se jam i lirë të shpërfill dëshirat e zgjedhësve të mi, përkundrazi,” “Nuk dua të dëmtoj të ardhmen e partisë sime. Por ndjej një përgjegjësi të ngutshme për t’u dhënë amerikanëve gjykimin tim më të mirë,” shkruan McCain.

“Para se të largohem, – shkruan McCain, – do të doja të shihja që politika jonë t’u rikthehet qëllimeve dhe praktikave që e dallojnë historinë tonë nga historia e vendeve të tjera.” “Do të doja të shihja rikthimin tek ndjesia se ne jemi më shumë të ngjashëm sesa të ndryshëm nga njëri-tjetri.”

“Ne jemi qytetarë të një republike të ndërtuar nga ideale të përbashkëta të farkëtuara në një botë të re për të zëvendësuar armiqësitë klanore që torturonin botën e vjetër,” shkruan McCain.

McCain, i cili njihet si një ligjvënës që flet hapur, ka pasur një marrëdhënie të kontestueshme me republikanin Trump. Gjatë garës për presidencën, zoti Trump u përpoq t’ia ulë vlerën faktit që McCain vuajti pesë vite rrjesht i mbajtur rob në Vietnamin e Veriut pas rrëzimit të avionit të tij ushtarak kur po bombardonte Hanoin.

Duke folur për senatorin McCain, zoti Trump tha: “Ai nuk është hero lufte. Ai ishte hero lufte sepse u kap. Më pëlqejnë njerëzit që nuk janë kapur.”

Vitin e kaluar, senatori McCain e sfidoi Presidentin Trump duke hedhur votën vendimtare kundër planit republikan të mbështetur nga presidenti për të shfuqizuar planin e kujdesit shëndetësor të ish-Presidentit Barak Obama.

Që nga dhjetori, senatori McCain i është nënshtruar trajtimit në Arizona, duke ofruar herë pas here komentet e tij mbi çështjet kombëtare dhe ndërkombëtare, por duke qëndruar larg Uashingtonit.

NYT publikon pyetjet e z. Mueller për presidentin; Trumpi e quan “të turpshme”

Presidenti Donald Trump e quajti “të turpshëm” faktin që një listë me pyetje që dëshiron t’i bëjë atij prokurori i posaçëm, i cili po heton rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, ka rrjedhur në media.

Gazeta New York Times publikoi mbrëmë vonë rreth 60 pyetje që iu dorëzuan avokatëve të zotit Trump, ku kërkohet të dihet rreth motiveve të presidentit për shkarkimin e drejtorit të FBI-së James Comey majin e kaluar dhe për kontaktet midis zyrtarëve të fushatës Trump dhe rusëve.

“Është e turpshme që pyetjet në lidhje me këtë gjueti shtrigash rrjedhin në media”, shkruante Presidenti Trump sot në mëngjes në Twitter. Nuk ka bashkëpunim të fshehtë me rusët, ky është një krim i sajuar dhe i paqenë. Është një hetim që fillon me rrjedhjen e paligjshme të një informacioni të klasifikuar,” shkruan Presidenti Trump.

Presidenti Trump në mënyrë të përsëritur e ka quajtur hetimin e prokurorit të posaçëm Robert Mueller një “gjueti shtrigash” dhe këmbëngul se nuk ka patur asnjë bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së tij dhe Rusisë. Ai gjithashtu ka akuzuar drejtorin e shkarkuar të FBI-së James Comey për rrjedhje të informacionit të klasifikuar. Zoti Mueller u caktua nga zëvendës prokurori i Përgjithshëm për të mbikëqyrur hetimin pas shkarkimit të zotit Comey nga Presidenti në maj 2017.

Edhe pse ekipi i zotit Mueller u ka deklaruar avokatëve të zotit Trump se Presidenti nuk shihet si objekt i hetimit, hetuesit janë të interesuar të dinë nëse veprimet e presidentit përbëjnë pengim të drejtësisë, prandaj synojnë ta intervistojnë atë për disa episode gjatë presidencës së tij.

Shumë nga pyetjet e zbuluara nga gazeta Nju Jork Tajms mbi çështjen e pengimit të drejtësisë, kanë të bëjnë me reagimin e Presidentit lidhur me faktin që Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions vendosi të heqë dorë nga mbikqyrja e hetimit për Rusinë, vendim i cili u kritikua me zemërim nga zoti Trump.

Pyetjet gjithashtu lidhen me ndërhyrjen ruse dhe nëse fushata e zotit Trump ka koordinuar disa veprime të saj me Kremlinin. Në njërën prej pyetjeve, sipas gazetës, zoti Mueller kërkon të dijë se çfarë informacioni kishte zoti Trump mbi përpjekjet e stafit, duke përfshirë ish kryetarin e fushatës Paul Manafort, për t’u lidhur me Moskën.

Prokurori i posaçëm Mueller ka ngritur disa akuza kundër zotit Manafort, por asnjëra nuk lidhet me shkelje që kanë të bëjnë me ndërhyrjen ruse në zgjedhje.

Pyetjet kanë të bëjnë edhe me bizneset e zotit Trump si dhe me bisedat e tij me avokatin personal, Michael Cohen, për një marrëveshje të mundshme për çështje pronash në Moskë.

Një tjetër pyetje kërkon të dijë se çfarë diskutimesh mund të jenë bërë për “ndonjë takim të mundshëm me Presidentin rus Vladimir Putin”.

Pyetje të tjera, sipas gazetës lidhen me atë se farë dijenije mund të ketë patur presidenti rreth një përpjekjeje të mundshme të dhëndrit të tij, Jared Kushner, për të hapur një kanal të fshehtë komunikimi me Rusinë përpara inaugurimit të Presidentit Trump.

Pyetjet kanë të bëjnë edhe me ish-këshilltarin e zotit Trump, Michael Flynn, i cili ka pranuar fajin se ka gënjyer FBI-në rreth bisedave të tij me ambasadorin rus Sergej Kislyak mbi sanksionet kundër Rusisë gjatë tranzicionit të presidencës.

Shtëpia e Bardhë: Irani ka program sekret të armëve bërthamore

“Irani vazhdon një program dinamik dhe sekret të armëve bërthamore. Këtë është përpjekur ta fshehë nga bota dhe populli i tij, por nuk ka arritur”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders

UASHINGTON – Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, deklaroi se Irani është duke vazhduar një program dinamik dhe sekret të armëve bërthamore dhe se këtë gjë është përpjekur ta fshehë nga bota, por nuk ka arritur.

Këto komente Sanders i bëri në një deklaratë me shkrim në lidhje me konferencën e djeshme për shtyp të kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ka deklaruar se Izraeli ka informacione rreth programit bërthamor të Iranit.

Ajo tha se janë të vetëdijshëm në lidhje me procesin bërthamor të Iranit dhe se po ndjekin nga afër çështjen e informacioneve dhe dokumenteve të pretenduara nga Izraeli.

“Kjo situatë vërteton faktin që SHBA-ja e di prej shumë kohësh: Irani vazhdon një program dinamik dhe sekret të armëve bërthamore. Këtë është përpjekur ta fshehë nga bota dhe populli i tij, por nuk ka arritur”, deklaroi Sanders.

“Irani nuk duhet të posedojë armë bërthamore”

“Regjimi iranian ka treguar se do të përdorë armë destruktive kundër fqinjëve të tij dhe vendeve të tjera. Kjo është arsyeja pse Irani kurrë nuk duhet të posedojë armë bërthamore”, ka komentuar Sanders.

Ndryshe, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një deklartë në Tel Aviv në lidhje me programin bërthamor të Iranit ishte shprehur se inteligjenca izraelite ka siguruar “një informacion të fshehtë prej 55 mijë faqesh të arkivuara në 183 CD rreth programit bërthamor të Iranit”.

Gjithashtu, edhe Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo në një deklaratë me shkrim në lidhje me deklaratat e Netanyahut për Iranin kishte theksuar se dokumentet në fjalë kanë treguar se “Irani ka vazhduar për vite me radhë programin e armëve bërthamore”.

“Irani ka vazhduar zhvillimin e armëve bërthamore dhe sistemit raketor. Irani deri më sot ka fshehur nga bota dhe nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike një arkivë të madhe atomike”, ka thënë Pompeo.

Raportohet se Muelleri iu ka dorëzuar pyetje avokatëve të Trumpit për kontaktet me Rusinë

The New York Times po raporton se këshilltari i posaçëm Robert Mueller i ka dhënë një listë të pyetjeve avokatëve të presidentit amerikan, Donald Trump, si pjesë të hetimit të tij mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale dhe nëse Trump ka penguar drejtësinë.

The Times, ndërkaq, më 30 prill raportoi se posedon listën e pyetjeve, duke thënë se ato variojnë nga motivimet e mundshme që Trump shkarkoi drejtorin e FBI-së, James Comey e deri te cilat ishin kontaktet e fushatës së Trumpit me rusët.

The Times ka thënë se hetuesit vazhdojnë të jenë të interesuar të dinë nëse veprimet e presidentit përbëjnë pengim të drejtësisë dhe duan ta intervistojnë atë për disa ngjarje.

Shumica e pyetjeve që Times ka thënë se posedon, kanë në qendër çështjen e pengimit të drejtësisë, përfshirë këtu edhe reagimin e Trumpit pasi Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions u tërhoq nga hetimi për Rusinë, një vendim të cilin Trumpi e ka kritikuar.

Avokatët e Trumpit kanë refuzuar që të komentojnë për këto raportime.

Në njërën prej pyetjeve të siguruara nga Times, Mueller e pyet Trumpin nëse ai ka ditur se stafi i fushatës së tij, përfshirë ish-drejtuesin e fushatës, Paul Manafort, kanë kontaktuar me Moskën.

Një pyetje tjetër është se çfarë diskutimesh mund të ketë pasur Trumpi gjatë takimit me presidentin rus, Vladimir Putin. Mueller pyet po ashtu nëse presidenti mund të ketë ditur për përpjekjet e mundshme të dhëndërit të tij, Jared Kushner, për të ndërtuar një kanal me Rusinë përpara inaugurimit të Trumpit.

Këshilltari Mueller gjithashtu pyetgjithashtu për takimin e qershorit të vitit 2016, në Kullën Trump së bashku me avokatët rusë, nëse nga ta është kërkuar informacione për të dëmtuar rivalen Hillary Clinton.

Një tjetër pyetje drejtuar Trumpit, është nëse presidenti ka ofruar që ta falë ish-këshilltarin e tij për siguri kombëtare, Michael Flynn.

Trumpi dakord me Netanyahun për synimet bërthamore të Iranit

Në një konferencë shtypi që dha të hënën krahas me Presidentin e Nigerisë, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Uashington, Presidenti Trump komentoi lidhur me një fjalim që mbajti pak më parë Kryeminsitri izraelit Benjamin Netanjahu.

Ai tha se zbulimi që bëri zoti Netanyahu për Iranin “Flet për një situatë të papranueshme”, duke shtuar se “kjo tregon se unë kam patur 100 për qind të drejtë” lidhur me synimet bërthamore të Iranit.

Presidenti Trump e kritikoi përsëri marrëveshjen dhe tha se ajo është arritur vetëm midis një numri të vogël shtetesh, por nuk pranoi të jepte hollësi se çfarë vendimi do të merrte lidhur me të ardhmen e saj.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se vendi i tij ka “prova të reja dhe bindëse” se Irani e ka fshehur aktivitetin e vet bërthamor, duke shkelur marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2015, që synonte ta kufizonte ndërtimin nga Teherani të armëve bërthamore.

Para transmetimit të drejtpërdrejtë me televizion të fjalimit të kryeministrit izraelit, një politikan izraelit i nivelit të lartë i tha Zërit të Amerikës se shteti hebraik kishte siguruar “një numër të madh dokumentesh, që ekspozojnë faktet se Irani ka gënjyer gjatë të gjithë kohës” lidhur me marrëveshjen.

Netanyahu prej kohësh e ka kritikuar marrëveshjen e arritur nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Rusia dhe China me Teheranin, në shkëmbim të heqjes së sanskioneve, që e kanë penguar ekonominë e Iranit. Ai ka thënë se marrëveshja nuk do ta ndalonte Iranin për t’u bërë një fuqi bërthamore.

Fjalimi i Netanjahut vjen pas një bisede telefonike që ai pati gjatë fundjavës me Presidentin Donald Trump, i cili ka kërcënuar ta shfuqizojë marrëveshjen dhe se do t’i rivendosë sanksionet ndaj Iranit.

Trump është ankuar vazhdimisht se marrëveshja nuk e ka ndaluar Iranin të zhvillojë prova me raketa balistike, si dhe nuk i ka ndaluar dot sulmet e menjëhershme ndaj Sirisë, Jemenit dhe gjetkë në Lindjen e Mesme.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo e bëri të qartë të dielën se Presidenti Trump do t’i tërheqë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja me Iranin më 12 maj, kundër dëshirës së aleatëve amerikanë në Europë, në se ajo nuk modifikohet për t’u bërë e pranueshme nga Shtetet e Bashkuara.

Trump: Do të mbyllet qeveria nëse nuk financohet muri

Presidenti Donald Trump ka kërcënuar se do të mbyllë qeverinë federale këtë vit nëse Kongresi nuk miraton fonde të mjaftueshme për të forcuar kontrollin kufitar, përfshirë fonde për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën.

Muajin e kaluar presidenti nënshkroi projekt-buxhetin prej 1.3 trilionë dollarësh për financimin e qeverisë federale deri në shtator.

Dje në një tubim në Miçigan, presidenti tha se Kongresi do të hedhë në votë projekt-buxhetin e ri më 28 shtator, por nëse nuk përfshin fonde për murin në kufi ai nuk do ta nënshkruajë projekt-buxhetin.

“E duam murin, do ta ndërtojmë. Kemi filluar punën. Kemi 1.6 miliardë dollarë fonde. Nëse nuk marrim fonde për sigurinë kufitare nuk kam ç’të bëj. Do të mbyllim punët e vendit, pasi na duhet siguria kufitare”.

Mbrojtja e kufirit përmes ndërtimit të një muri ishte një nga premtimet kryesore që bëri në fushatën presidenciale Donald Trumpi. Por ka gjasa që presidenti të krijojë divergjenca të reja me republikanët e partisë së tij nëse përpiqet të mbyllë qeverinë ndërkohë që shumë republikanë përgatiten të garojnë në zgjedhjet e nëntorit.

Një armatë juristësh presin karvanin e emigrantëve

Karvani i emigrantëve që zemëroi Presidentin amerikan Donald Trump ka arritur në kufirin SHBA-Meksikë. Shumica e tyre kanë në plan të kërkojnë azil në SHBA. Për të ndihmuar me çështjet e tyre ligjore, një karvan tjetër me avokatë amerikanë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut po shkon drejt kufirit jugor të Amerikës për t’i takuar imigrantët.

Ata kanë të gjitha gjërat e nevojshme, këpucë të rehatshme dhe çanta të mbushura me gjërat që u duhen. Claudia Treminho, së bashku me vullnetarë të tjerë të grupit të avokatëve dhe aktivistëve të emigracionit, është nisur në këmbë nga Los Anxhelosi drejt kufirit amerikano-meksikan, një distancë prej 200 kilometrash. Në kufi, ata planifikojnë të takohen me karvanin e emigrantëve nga Amerika Qendrore që para disa javësh ka nisur udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara në kërkim të një jete më të mirë.

“Ata po portretizohen si kriminelë, megjithëse ata nuk janë kriminelë. Ata kanë të drejtë të vijnë këtu dhe të kërkojnë azil. Shumica dërrmuese e këtyre njerëzve janë gra dhe fëmijë, të gjithë të paarmatosur. Ata nuk paraqesin ndonjë kërcënim për askënd”, thotë vullnetarja Claudia Treminho.

Karvani i emigrantëve filloi si një grup prej më shumë se 1,000 vetëve dhe zemëroi Presidentin Trump, i cili shkroi në Twitter: “Unë e kam udhëzuar Sekretarin e Sigurisë Kombëtare që të mos i lejojë këto karvane të mëdha njerëzish të hyjnë në vendin tonë.” Grupi i emigrantëve tani përbëhet nga rreth 600 njerëz dhe ata nuk planifikojnë të kalojnë kufirin ilegalisht. Shumica e tyre kanë në plan të kërkojnë azil. Karvani i avokatëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut dëshiron t’i ndihmojë ata.

“Ne do ta mirëpresim karvanin – jo me armë, jo me trupa, por me krah të hapur. Sepse ky është karakteri i vërtetë i këtij vendi. Ne kemi një grup avokatësh që do t’i takojnë këta njerëz në Parkun e Miqësisë, në mënyrë që të shqyrtojnë rastet e tyre dhe të fillojnë procesin e kërkimit të azilit në emër të tyre”, thotë vullnetarja Tacy Borden.

Karvanit amerikan pritet t’i bashkohen më shumë vullnetarë përgjatë rrugës, dhe kishat po u ofrojnë atyre strehim gjatë natës. Në fund të prillit, ata shpresojnë të arrijnë në kufirin e Tihuanës, ku planifikojnë të fushojnë dhe t’i ndihmojnë ata që kërkojnë ndihmë.

Trump fton presidentin e Nigerisë në Shtëpinë e Bardhë

Pas më shumë se një viti në zyrë, presidenti amerikan Donald Trump ka ftuar për herë të parë një president afrikan në Shtëpinë e Bardhë.

Takimi me presidentin e Nigerisë, Muhammadu Buhari të hënën vjen pasi një situate të pakëndshme për shkak të qasjes së administratës së Trumpit për kontitentin e dytë më të populluar në botë.

Të dy liderët do të diskutojnë çështje ekonomike dhe ato të sigurisë.

Nigeria, shteti me më së shumti banorë në Afrikë, përbën ekonominë më të madhe në kontinent.

Buhari ka qenë një nga dy liderët e parë afrikanë të cilëve Trumpi u ka bërë ftesë prej kur ka nisur detyrën e presidentit.

Trumpi kërkon dorëheqjen e senatorit që kundërshtoi kandidatin e tij

Presidenti Donald Trump ka bërë thirrje për dorëheqjen e Senatorit demokrat Jon Tester, i cili kishte shprehur shqetësim për kandidatin e presidentit për shef të Agjencisë së Çështjeve të Veteranëve, Ronny Jackson. Zoti Jackson tërhoqi të enjten kandidaturën për këtë post.

Dr. Jackson, i cili aktualisht është mjeku i Shtëpisë së Bardhë dhe Admiral i Marinës Ushtarake, tërhoqi kandidaturën për shef i agjencisë federale më të madhe pas Pentagonit, pasi ligjvënësit filluan të analizojnë zërat se ai ka kryer shkelje etike dhe profesionale.

Përmes komenteve të postuara në Twitter, presidenti shkruan se akuzat “po vërtetohet se janë të pavërteta” dhe se Senatori Tester nga shteti Montana, duhet të japë dorëheqjen.

Zoti Trump fajëson Senatorin Tester për eliminimin e kandidaturës së zotit Jackson pasi senatori kishte thënë të mërkurën se 20 anëtarë aktualë dhe të mëparshëm të forcave të armatosura që e njihnin nga afër zotin Jackson në kushte pune, kishin informuar ligjvënësit se mjeku i Shtëpisë së Bardhë pinte gjatë punës, trajtonte keq vartësit duke krijuar një mjedis të vështirë pune dhe jepte receta për ilaçe pa qenë në dieni të probleme shëndetësore të pacientit.

Zoti Jackson tha se nëse akuzat “do të kishin diçka të vërtetë, unë nuk do të isha zgjedhur, rritur në përgjegjësi dhe nuk do të më kishte besuar njeri detyrën e mjekut të Shtëpisë së Bardhë për tre presidentë për një periudhë 12 vjeçare. Kur pranova emërimin nga presidenti e prisja që do të ndeshesha me pyetje të vështira për kujdesin për veteranët, por nuk prisja se do të më duhej t’u përgjigjesha këtyre sulmeve pa bazë dhe anonime ndaj karakterit dhe integritetit tim”.

Shtëpia e Bardhë u shpërndau gazetarëve dokumente duke thënë se ato vërtetojnë se nuk ka asgjë të vërtetë në akuzat se zoti Jackson ka përplasur një makinë qeveritare pasi kishte qenë në një mbrëmje dhe se kishte dhënë receta për ilaçe në mënyrë jo-etike.

Jackson po humbiste mbështetje në Kongres dhe ligjvënës si demokratë, ashtu edhe republikanë e kishin shtyrë seancën për konfirmimin e kandidaturës së tij për të lejuar kohë për hetimin e akuzave.

Sipas disa grupeve mediatike amerikane, Jackson njihej si “burri me karamele”, një referencë për ilaçet që ai jepte me recetë.

Java kaotike e presidentit Trump

Ishte një tjetër javë e rëndësishme në presidencën e Donald Trump. Presidenti priti dy nga aleatët kryesorë të Shteteve të Bashkuara, Emmanuel Macronin e Francës dhe Angela Merkelin e Gjermanisë. Por kjo javë u shoqërua edhe me kokëçarje, me më shumë trazira nga kabineti i tij, ndërkohë që vazhdon procesi hetimor mbi përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale dhe u intensifikuan hetimet mbi avokatin e tij personal, Michael Cohen.

Presidenti Trump së fundmi u takua me kancelaren gjermane Angela Merkel, duke përfunduar një tjetër javë kaotike në Shtëpinë e Bardhë.

Trump mirëpriti me entuziazëm një raport nga republikanët e Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve që nuk gjeti prova mbi asnjë lloj marrëveshjeje midis fushatës së zotit Trump dhe Rusisë.

“Ishte një raport i mirë. Asnjë marrëveshje s’kishte, gjë që e dija gjithsesi. Asnjë koordinim, asgjë. Kjo është gjueti shtrigash. Nuk ka bashkëpunim me Rusinë, nëse mund ta besoni këtë” tha presidenti.

Më parë gjatë javës, Presidenti Trump tregoi miqësinë e tij me presidentin francez Emmanuel Macron gjatë një vizite zyrtare shtetërore.

“Ai do të jetë një president i shquar. Një nga presidentët tuaj të mëdhenj dhe është një nder t’ju quaj miku im. Faleminderit”.

Mike Pompeo, kandidati i presidentit Trump për postin e Sekretarit të Shtetit, më në fund mori konfirmimin nga Senati kësaj jave.

Por kishte edhe pengesa. Ronny Jackson u tërhoq si kandidat i presidentit për të kryesuar Departamentin e Çështjeve të Veteranëve. Po këtë javë, Kongresi u mor intensivisht me shefin e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Scott Pruitt, i cili është kritikuar për keqpërdorim fondesh qeveritare.

Ishte një javë tjetër ulje-ngritjesh dramatike që janë bërë një tipar i rregullt i presidencës së Trumpit, thotë analisti Jim Kessler.

“Unë nuk mendoj se ai punon mirë në kaos. Ai krijon kaos dhe kjo është mënyra se si ka punuar Shtëpia e Bardhë dhe Uashingtoni”.

Përveç hetimit të Rusisë të udhëhequr nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller, problemet ligjore me të cilat përballet avokati personal i presidentit, Michael Cohen, vazhdojnë t’i sjellin probleme administratës.

John Fortier është me Qendrën e Politikave Dypartiake në Uashington.

“Është një javë me ulje dhe ngritje. Qeverisja është gjithmonë shumë interesante me Donald Trump, por vazhdojmë të ndjehemi sikur jemi në cirk me kandidaturët për kabinete dhe me skandalet që vazhdojnë”.

Presidenti Trump shpreson se lajmet e mira për përmirësimin e marrëdhënieve midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut dhe miqësisë së tij të ngushtë me Macron do të marrin përparësi mbi pengesat, thotë Jim Kessler.

“Trump ndihej mirë për lidhjen e ngushtë me Macron dhe Macroni e ngriti veten në skenën botërore. Në këtë aspekt ishte një javë e mirë për Donald Trump pavarësisht nga të gjitha të tjerat që ndodhën”.

Trump gjithashtu gjeti kohë gjatë javës të luante rolin e guidës për fëmijët e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, në ditën kur punonjësit marrin fëmijët në punë.

Ishte një tjetër shembull që dëshmon se këtij presidenti i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes dhe në qendër të stuhive politike.

Një panel i Kongresit konstaton se Trumpi nuk ka bashkëpunuar me Rusinë

Komiteti i Inteligjencës i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA lëshoi të premten raportin përfundimtar mbi ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale më 2016, duke konstatuar se fushata e presidentit Donald Trump nuk ka bashkëpunuar fshehtë me Rusinë.

Raporti prej 250 faqesh është kapitulli i fundit i hetimeve nga Komiteti i Inteligjencës, i cili kontrollohet nga republikanët.

Anëtarët demokratë të Komitetit e kanë kritikuar për kohë të gjatë procesin e udhëhequr nga republikanët, duke thënë se homologët e tyre bëjnë përpjekje të mbrojnë Trumpin dhe të minojnë integritetin e komunitetit të inteligjencës në SHBA.

Republikanët kanë thënë se agjencitë e zbulimit në SHBA janë bërë shumë të politizuara.

Komiteti i Inteligjencës është një nga tre panelet e Kongresit që po hetojnë ndërhyrjen e supozuar të Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.

Trump e mohon vazhdimisht se ka pasur bashkëpunim të fshehtë me Rusinë, ndërsa hetimet i quan “gjueti shtrigash”.

Karvani i emigrantëve arrin në kufirin SHBA-Meksikë

Karvani i emigrantëve që zemëroi Presidentin amerikan Donald Trump ka arritur në kufirin SHBA-Meksikë. Shumica e tyre kanë në plan të kërkojnë azil në SHBA. Për të ndihmuar me çështjet e tyre ligjore, një karvan tjetër me avokatë amerikanë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut po shkon drejt kufirit jugor të Amerikës për t’i takuar emigrantët.

Ata kanë të gjitha gjërat e nevojshme, këpucë të rehatshme dhe çanta të mbushura me gjërat që u duhen. Claudia Treminho, së bashku me vullnetarë të tjerë të grupit të avokatëve dhe aktivistëve të imigracionit, është nisur në këmbë nga Los Anxhelosi drejt kufirit amerikano-meksikan, një distancë prej 200 kilometrash. Në kufi, ata planifikojnë të takohen me karvanin e emigrantëve nga Amerika Qendrore që para disa javësh ka nisur udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara në kërkim të një jete më të mirë.

“Ata po portretizohen si kriminelë, megjithëse ata nuk janë kriminelë. Ata kanë të drejtë të vijnë këtu dhe të kërkojnë azil. Shumica dërrmuese e këtyre njerëzve janë gra dhe fëmijë, të gjithë të paarmatosur. Ata nuk paraqesin ndonjë kërcënim për askënd”, thotë vullnetarja Claudia Treminho.

Karvani i imigrantëve filloi si një grup prej më shumë se 1,000 vetëve dhe zemëroi Presidentin Trump, i cili shkroi në Twitter: “Unë e kam udhëzuar Sekretarin e Sigurisë Kombëtare që të mos i lejojë këto karvane të mëdha njerëzish të hyjnë në vendin tonë.” Grupi i imigrantëve tani përbëhet nga rreth 600 njerëz dhe ata nuk planifikojnë të kalojnë kufirin ilegalisht. Shumica e tyre kanë në plan të kërkojnë azil. Karvani i avokatëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut dëshiron t’i ndihmojë ata.

“Ne do ta mirëpresim karvanin – jo me armë, jo me trupa, por me krah të hapur. Sepse ky është karakteri i vërtetë i këtij vendi. Ne kemi një grup avokatësh që do t’i takojnë këta njerëz në Parkun e Miqësisë, në mënyrë që të shqyrtojnë rastet e tyre dhe të fillojnë procesin e kërkimit të azilit në emër të tyre”, thotë vullnetarja Tacy Borden.

Karvanit amerikan pritet t’i bashkohen më shumë vullnetarë përgjatë rrugës, dhe kishat po u ofrojnë atyre strehim gjatë natës. Në fund të prillit, ata shpresojnë të arrijnë në kufirin e Tihuanës, ku planifikojnë të fushojnë dhe t’i ndihmojnë ata që kërkojnë ndihmë.

Trumpi lavdëron takimin midis dy Koreve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e vlerësoi lart takimin midis liderit verikorean, Kim Jong Un, dhe presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, duke e cilësuar si “historik”.

“Pas një viti të tërbuar me hedhje raketash dhe prova bërthamore, takimi historik midis Veriut dhe Koresë së Jugut ndodhi. Gjëra të mira po ndodhin, por vetëm koha do të tregojë”, tha Trump përmes një postimi në Twitter.

Kim dhe Moon u takuan të premten në zonën kufitare, në anën e Koresë së Jugut.

Dy liderët u zotuan për denuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean.

Takimi i tyre pritet t’i hapë rrugë edhe samitit të mundshëm midis Kimit dhe presidentit amerikan, Trump, në muajin maj.

Merkel arrin në Uashington

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Fotografi nga arkivi

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka arritur në Uashington, ku pritet që me presidentin amerikan, Donald Trump të bisedojë për marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe për heqjen e tarifave amerikane për çelik dhe alumin.

Merkel pritet të takohet sot me Trumpin në Zyrën Ovale dhe më pas do të kenë një drekë pune.

Kancelarja gjermane viziton SHBA-në, pasi presidenti francez, Emmaneul Macron kishte qëndruar atje në një vizitë triditore.

Merkel kishte vizituar SHBA-në në mars të vitit 2017.

Konflikti në Siri gjithashtu pritet të jetë një nga temat e diksutimit. Gjermania nuk morri pjesë në sulmin ajror në Siri, të Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Britanisë. Tri shtetet sulmuan Sirinë, në kundërpërgjigje të një sulmi të dyshuar kimik në Duma, ku u vranë dhjetëra persona.

Pompeo arrin në Bruksel për takimin e parë të NATO-s si kryediplomat i SHBA-së

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg

Sekretari i ri i Shtetit, Mike Pompeo ka arritur në Bruksel për bisedime me aleatët e NATO-s për “agresionin” rus në Evropë. Vizita e tij realizohet vetëm një ditë pasi ai u zgjodh në pozitën e kryediplomatit amerikan.

Ish-drejtori i CIA-s, Pompeo konsiderohet njeri besnik i presidentit amerikan Donald Trump, me të cilin ndanë pikëpamje të ngjajshme.

Edhe para konfimimit të tij në postin e Sekretarit të Shtetit, Pompeo ishte i përfshirë në diplomaci edhe pse kjo do të jetë takimi i tij i parë si kryediplomat i SHBA-së me homologët e tij në Evropë.

Ministrat e NATO-s do të takohen para samitit të liderëve që pritet të mbahet në korrik.

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se takimi do të ketë në fokus, atë që ai e përshkruajti si agresioni rus në Ukrainë, Gjeorgji dhe Siri si dhe për planet për të rritur sigurinë përgjatë kufirit jugor të Evropës.

Pomepo pritet që t’iu bëjë presion anetarëve të aleancës që të rrisin buxhetin e tyre për ushtrinë dhe të arrijnë objektivin që 2 për qind të ekonomisë ta shpenzojnë në mbrojtje deri në fivitn 2024.

Pas takimit në NATO, Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se Pompeo do të vizitojë gjatë fundjavës Arabinë Saudite, Jordaninë dhe Izraelin.

SHBA, Pompeo konfirmohet sekretar i shtetit

Senati amerikan konfirmoi të enjten zotin Mike Pompeo në postin e sekretarit të shtetit megjithë kundërshtimet e demokratëve, të cilët kanë vënë në pikëpyetje disa qëndrime të tij të vijës së ashpër në politikën e jashtme dhe disa deklarata rreth grupeve të pakicave.

Sekretari i ri Pompeo do të zëvendësojë zotin Rex Tillerson, i cili u shkarkua muajin e kaluar nga Presidenti Donald Trump.

Republikanët ishin të bashkuar në mbështetjen për zotin Pompeo, ndërkohë që demokratët, përveç katër prej tyre, kishin njoftuar se do të votonin kundër konfirmimit.

Demokrati më i lartë në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Bob Menendez i Nju Xhersit, tha se dyshonte që zoti Pompeo “do të ishte i gatshëm të tërhiqej nga instinktet më të këqia të presidentit”, siç u shpreh ai.

Senatori Menendez vuri në dukje se aleatët kryesorë amerikanë po pranojnë miliona refugjatë, dhe shtroi pyetjen: “Çfarë do të thotë ai [Pompeo], ndërkohë që kjo administratë po shkurton programin tonë të refugjatëve, dikur një xhevahir në kurorën e politikës sonë të jashtme?”

Ndërkohë, republikanët i përshëndetën arritjet e zotit Pompeo, nga përfundimi shkëlqyeshëm i Akademisë Ushtarake West Point e deri te studimet e juridikut në Harvard si dhe vitet kur përfaqësonte shtetin e Kansasit në Dhomën e Përfaqësuesve.

Presidenti Trump kohët e fundit dërgoi zotin Pompeon për të zhvilluar bisedime me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un përpara samitit të planifikuar Trump-Kim.

Republikanët theksuan se të gjithë, përveç dy anëtarëve të tyre, votuan për të konfirmuar ish-sekretaren e shtetit Hillary Clinton, në vitin 2009 ndërkohë që të gjithë ata, përveç tre republikanëve të Senatit, mbështetën zotin John Kerry për këtë post në vitin 2013.

Miratohet projekligji që mbron Mullerin nga shkarkimi arbitrar

Komisioni i Senatit për Çështjet Juridike miratoi të enjten një projektligj dypartiak, i cili mbron nga shkarkimi arbitrar Prokurorin e Posaçëm, i cili po heton aktualisht ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

Projektligji, i miratuar me 14 vota pro dhe 7 kundër, sistemon rregulloret e Departamentit të Drejtësisë në mënyrë të tillë, që Prokurori i Posaçëm të mund të pushohet nga Prokurori i Përgjithshëm ose i emëruari i tij, vetëm për “sjellje të papërshtatshme profesionale, braktisje të detyrës, paaftësi, konflikt interesi apo ndonjë shkak tjetër të vlefshëm”.

Ai garanton mbrojtje shtesë për zyrën e Prokurorit të Posaçëm, që aktualisht drejtohet nga Robert Mueller, duke i mundësuar atij të kërkojë një shqyrtim të përshpejtuar të gjykimit për një shkarkim si dhe i kërkon atij të raportojë në Kongres mbi gjetjet në përfundim të një hetimi dhe jo tek Prokurori i Përgjithshëm.

Ligji u prezantua dy javë më parë nga dy senatorë demokratë dhe dy republikanë, pas kritikave të Presidentit Donald Trump për një bastisje nga ana e FBI-së të shtëpisë dhe zyrës së avokatit të tij personal veprim që nxiti frikën se zoti Trump mund të shkarkojë apo të urdhërojë shkarkimin e zotit Mueller.

Zoti Mueller po drejton hetimin federal lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje presidenciale amerikane dhe mbi një marrëveshje të mundshëm të fshehtë me zyrtarët e fushatës presidenciale të zotit Trump. Vetë presidenti ka mohuar çdo bashkëpunim të fshehtë dhe e ka denoncuar hetimin si një “gjueti shtrigash”.

Mbështetësit e projektligjit e cilësojnë atë një fitore të sundimit të ligjit dhe në mbështetje të pavarësisë së Prokurorit të Posaçëm.

Projektligji do të përballet me një betejë të vështirë në Kongres. Udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell, ka thënë se nuk është i nevojshëm miratimi i një ligji të tillë pasi sipas tij, zoti Trump nuk do ta shkarkojë zotin Mueller. Mitch McConnell ka thënë gjithashtu se nuk do të zhvillojë një votim të plotë në Senat të projektligjit.

Senatori republikan John Cornyn, një tjetër kundërshtar i projektligjit, tha se Dhoma e Përfaqësuesve nuk do ta votojë atë dhe se presidenti nuk do ta nënshkruajë edhe nëse rast se do të miratohej nga të dyja dhomat e Kongresit.

Analistët: Perëndimi dhe vendet e Ballkanit të rrisin angazhimin ndaj ndikimit rus

Perëndimi dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të shtojnë përpjekjet për t’iu kundërvënë kërcënimit nga ndikimi rus në rajon. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të shtojnë praninë ushtarake dhe politike për t’iu kundërvënë këtij kërcënimi, tha për Zërin e Amerikës analisti Luke Coffey. Ndërsa, analistja Heather Conley theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta përballojnë këtë kërcënim përmes forcimit të institucioneve dhe transparencës, që janë elemente kyç për integrimet euroatlantike.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të intensifikojnë angazhimin e tyre për t’iu kundërvënë ndikimit keqdashës rus në rajon, thonë analistët. Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin e tyre për ndikimin rus në Ballkan, por nuk kanë shtuar angazhimin në rajon, i tha Zërit të Amerikës ekspertja Heather Conley, Nënpresidente për Evropën në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

“Në Ballkanin Perëndimor nuk kemi të bëjmë thjeshtë vetëm me ndikimin rus, po shohim një angazhim më të madh kinez, turk dhe të tjerë që po përpiqen të ndryshojnë rrjedhat në rajon. Ne jemi të fokusuar te Rusia dhe të tjerët, por ne duhet të sigurohemi që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të jenë po aq të angazhuar në Ballkanin Perëndimor. Ka shumë punë që duhet bërë dhe brishtësi që duhet trajtuar”.

Komandanti i forcave amerikane në Evropë, Curtis Scaparrotti, gjatë një dëshmie muajin e kaluar në Komisionin e Senatit për Forcat e Armatosura, tha se Rusia po provon të nxitë trazira në Ballkan nëpërmjet fushatave të dezinformimit.

“Rusia ka ndërhyrë në Ballkan dhe mendoj se ne nuk i kemi kushtuar aq sa duhet vëmendje atij rajoni. Kam parë një rritje të ndikimit gjatë një viti e gjysmë që jam në këtë post. Unë mendoj se është një rajon, të cilit duhet t’i kushtojmë një vëmendje më të madhe diplomatike. Ne duhet t’i vazhdojmë reformat në siguri dhe aftësitë tona të ndërtimit të kapaciteteve, në të cilat ne dhe komuniteti ndërkombëtar jemi të angazhuar në Ballkan. Kjo është një fushë, në të cilën ne mund të kemi probleme në të ardhmen”.

Analisti Luke Coffey nga Fondacioni Heritage është dakord me këtë vlerësim. Ai thekson se Perëndimi ka humbur dëshirën për të ecur përpara, iniciativën dhe entuziazmin që kishte dikur, veçanërisht në vitet 1990, për të sjellë qëndrueshmëri, paqe dhe begati në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Për shembull, para një dekade, në kohën kur Kosova po bëhej një vend i pavarur, Misioni ushtarak i BE-së në Bosnje kishte dy mijë trupa, kurse tani ka vetëm disa qindra trupa atje. KFOR-i në Kosovë, me kalimin e kohës, ka zvogëluar numrin e trupave ndërkohë që sfidat dhe reziku ndaj rajonit janë rritur. Prandaj, unë mendoj se ne duhet të jemi më të angazhuar sepse taksapaguesit amerikanë tashmë kanë investuar shumë në rajon”.

Përveç rritjes së angazhimit, duhet të ketë edhe një ndryshim në makanizmat amerikane dhe evropiane të ndihmave, pasi ato kanë humbur efektshmërinë, thotë analistja Conley nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Ajo i tha Zërit të Amerikës se mekanizmat e tanishëm të ndihmave janë të vjetëruara dhe bazohen në modelin që është përdorur për të ndihmuar vendet e Evropës Qendore në periudhën e tranzicionit.

“Ballkani Perëndimor ndeshet me një tranzicion të ndryshëm në rrugën drejt një integrimi më të madh me Perëndimin. Unë mendoj se ne duhet t’i përmirësojmë këto mjete, duke u përqëndruar tek shoqëria civile dhe transparenca. Unë shpresoj që Shtetet e Bashkuara do të rikalibrojnë mekanizmin e tyre të ndihmave, duke investuar më shumë në shoqërinë civile dhe organizatat jo-qeveritare sepse ato duhet sjellin ndryshimet e brendshme në këto vende, që do të ndihmojnë qeveritë të bëhen më të forta dhe më llogaridhënëse”.

Rusia po përpiqet të pengojë përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në Nato dhe BE. Valentina Matviyenko, kryetare e Dhomës së Lartë të parlamentit rus, tha të hënën në një fjalim në parlamentin e Bosnjës se zgjerimi i Natos po minon sigurinë dhe qëndrueshmërinë në Ballkan.

“Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO binte ndesh me vullnetin e praktikisht gjysmës së qytetarëve të tij. Është bërë shkelja më e ashpër e parimeve bazë të demokracisë në një vend. Tani ata po përpiqen të bëjnë të njejtin eksperiment të rrezikshëm në Maqedoni. Ne nuk duam të marrim pjesë në këto politika konfrontuese”, tha zonja Matviyenko.

Perëndimi e sheh anëtarësimin e vendeve të rajonit në NATO dhe në Bashkimin Evropian si mënyrën më të mirë të ruajtjes së paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan.

Analistja Heather Conley thekson se angazhimi për forcimin e institucioneve dhe rritja e transparencës nga qeveritë e vendeve të Ballkanit, elementët kyç në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, janë një mënyrë e efektshme për luftimin e ndikimit keqdashës nga jashtë.

“E dimë që korrupsioni është një sfidë për të gjitha vendet, por korrupsioni sigurisht që mund të përdorët nga ndikimi i jashtëm keqdashës. Prandaj, institucionet e forta, transparenca më madhe dhe ofrimi i një shprese banorëve të Ballkanit Perëndimor se ekziston një e ardhme më e ndritur për ta, e cila gjendet te demokracia e hapur dhe transparente. Ky duhet të jetë synimi i tyre. Të gjitha qeveritë dhe partitë politike duhet të mbahen përgjegjëse në përpjekjet për të krijuar qeveri më të forta dhe më të mira në shërbim të qytetarëve”.

Në lidhje me angazhimin që qeveritë e vendeve të Ballkanit duhet të kenë ndaj kërcënimit nga ndikimi rus, zoti Coffey i tha Zërit të Amerikës se ato duhet të vazhdojnë të përmirësojnë demokracitë dhe qeverisjet e tyre si dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane.

“Ata duhet të vazhdojnë në këtë rrugë, duke e kuptuar se integrimi në Nato ose në Bashkimin Evropian mund të marrë kohë shumë të gjatë. Mund të duhet një brez për realizimin e kësaj, por kjo është në rregull. Për shembull, Kosova është një vend i ri dhe duhet të ketë një të ardhme të ndritshme nëse vazhdon në rrugën e duhur dhe ruan durimin”.

Ekspertët ishin të një mendimi se mungesa e një reagimi më të fortë nga Perëndimi dhe vendet e Ballkanit Perëndimor ka trimëruar Rusinë, prandaj ata thonë se duhet një politikë më e qartë dhe më e unifikuar e Perëndimit ndaj përpjekjeve ruse.

SHBA: Gjykata e Lartë sinjalizon mbështetjen për urdhrin e Trumpit për ndalimin e udhëtimeve

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara duket e prirur të mbështesë vendimin e Presidentit Donald Trump për ndalimin e udhëtimit drejt Amerikës për udhëtarët nga vendet me shumicë myslimane si Irani, Libia, Koreja e Veriut, Siria, Venezuela, Somalia dhe Jemeni.

Të mërkurën gjatë një seance dëgjimore, kryetari i gjykatës John Roberts dhe anëtari i gjykatës Anthony Kennedy sinjalizuan mbështetjen e tyre për këtë politikë të ndjekur nga zoti Trump. Një votë e secilit prej tyre, do të ishte e mjaftueshme për të zhvendosur vendimin e gjykatës, në favor të palës paditëse.

Që nga marrja e detyrës, zoti Trump ka lëshuar tre variante të urdhrit që ndalon udhëtimin. Dy variantet e mëparshme ishin të përkohëshme. Urdhri aktual për ndalimin e udhëtimeve drejt SHBA-së, nuk ka një datë skadimi.

I ashtuquajturi ndalim i udhëtimit kaloi disa sfida gjyqësore në pjesën më të madhe të vitit të kaluar. Ligjshmëria e tij u vu në pikëpyetje nga avokatët e emigracionit, sipas të cilëve urdhëri përbën një ndalim ndaj myslimanëve. Urdhëri po përballet me sfidën përfundimtare në Gjykatën e lartë.

Paditësit, në këtë rast Shteti i Havait, Shoqata Myslimane e Havait dhe tre individë, pritet të argumentojnë se ndalimi diskriminon komunitetin mysliman dhe e tejkalon autoritetin presidencial mbi çështjen e imigracionit.

Në këmbim, avokatët e shtetit do të argumentojnë se presidenti ka autoritet mbi imigracionin. Përpara seancës dëgjimore, Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions publikoi një deklaratë ku thuhej se “Presidenti Trump vendosi që urdhëri mbi ndalimin e udhëtimeve është thelbësor për mbrojtjen e popullit amerikan. Ne shpresojmë ta mbrojmë ligjshmërinë e urdhrit sot në Gjykatën e Lartë“.

Në mbështetje të palës paditëse, jemeno-amerikanët mund të mbyllin bizneset, në shenjë proteste ndaj urdhërit të presidentit, që i ndalon shtetasit e Jemenit të udhëtojnë drejt Amerikës.

Ndërkohë nga lista është hequr një nga vendet, Çadi, i cili u përfshi shtatorin e kaluar në listën e vendeve, udhëtarët të të cilëve u ndalohej udhëtimi drejt Amerikës. Zoti Trump tha në një deklaratë, se vendi afrikan kishte përmirësuar masat e sigurisë, duke i bërë pasaportat “më të sigurta”, si dhe duke përmirësuar ndarjen e informacionit me SHBA-në lidhur me terroristët e njohur, apo të dyshuar.

Megjithatë, shtatë vendet e tjera “nuk kanë bërë përmirësime të dukshme, apo të mjaftueshme në praktikat e tyre të menaxhimit të identitetit dhe shkëmbimit të informacionit”, ndaj dhe mbeten në listë, thuhej në deklaratë.

Nga fundi i muajit qershor pritet një vendim lidhur me këtë çështje.

Emmanuel Macron, fjalim para Kongresit Amerikan

Presidenti francez Emmanuel Macron u bëri thirrje ligjvënësve amerikanë, në një fjalim që mbajti në Kongres, që Shtetet e Bashkuara të mos e braktisin marrëveshjen ndërkombëtare me Iranin për kufizimin e zhvillimit të armëve bërthamore nga Teherani.

Në një fjalim të fuqishëm para të dyja dhomave të Kongresit, Macron deklaroi se Irani “nuk ka për zotëruar kurrë armë bërthamore, as në 5 dhe as në 10 vjet”.

Udhëheqësi francez nuk e përmendi kundërshtimin e fortë të Presidentit amerikan Donald Trump ndaj marrëveshjes së vitit 2015, ndërsa Trump është duke konsideruar marrjen e një vendimi muajin e ardhshëm, në se duhen rivendosur sanksione ekonomike ndaj Teheranit.

Emmanuel Macron duke u takuar me ligjvënësit amerikanë në Kapitol Hill
Emmanuel Macron duke u takuar me ligjvënësit amerikanë në Kapitol Hill

Por, shtoi Macron, “Ne duhet të sigurojmë stabilitet dhe të mos e shfuqizojmë marrëveshjen” me një ton me nënkuptim, duke thënë se Franca e “nënshkroi atë me nismën e Shteteve të Bashkuara”, e cila ishte negociuar nga paraardhësi i zotit Trump, ish-Presidenti Barack Obama.

Macron, sikurse veproi të martën në bisedimet me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë, bëri thirrje për zhvillimin e negociatave për një marrëveshje të re me Iranin, lidhur me provat balistike të Teheranit dhe angazhimin ushtarak në Siri, Jemen, Liban dhe Irak. Por presidenti iranian Hassan Rouhani, të mërkurën e hodhi poshtë idenë e një marrëveshjeje të re, ose të ndryshimeve të saj, pas negociatave të gjata me Britaninë, Gjermaninë, Rusinë, Kinën, Francën dhe Shtetet e Bashkuara.

Trump ka vazhduar ta sulmojë marrëveshjen bërthamore me Iranin, si “të papërgjegjshme” dhe “qesharake” dhe nuk premtoi se do t’i qëndrojë marrëveshjes bërthamore, me afrimin e afatit të 12 majit, kur do të merret një vendim lidhur me sanksione të reja.

Trump është i vetmi udhëheqës në mesin e vendeve që e nënshkruan marrëveshjen me Iranin, i cili e kundërshton atë.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, tha të mërkurën se marrëveshja duhet ruajtur.

Vlerësim i lartë për bashkëpunimin

Presidenti francez Macron mbrojti me forcë marrëveshjet shumëpalëshe mes vendeve të ndryshme dhe tha se Europa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të përballen me “kërcënimet dhe sfidat e reja” të shekullit të 21-të.

“Ne mund të zgjedhim izolacionizmin, por nuk do të mund të ndalim evolucionin e botës”, tha ai. Ai tha se aleatët perëndimorë nuk mund të lejojnë që të pushtohemi nga impulset nacionaliste dhe të “minojmë rendin liberal që vendosëm pas Luftës së Dytë Botërore. Ky është një moment kritik.”

Zoti Macron u brohorit nga disa ligjvënës amerikanë, kur tha se vendimet që ndikojnë tek ndryshime klimatike “duhet të bazohen tek shkenca”, në kundërshtim me disa konservatorë, të cilët thonë se nuk janë të bindur, në se njerëzit kontribuojnë me aktivitetin e tyre tek ndryshime klimatike. “Nuk ka një planet B”, – tha ai.

Trump e ka bërë të njohur synimin e tij se do të tërhiqet nga Marrëveshja e Klimës e Parisit e vitit 2015, duke thënë se ajo dëmton interesat e biznesit amerikan.

Por Emmanuel Macron parashikoi se “Jam i bindur se një ditë Shtetet e Bashkuara do t’i bashkohen përsëri Marrëveshjes së Parisit.”

E mërkura është dita e fundit e vizitës tre-ditëshe të Presidentit Macron në Uashington, gjatë të cilave ai ka marrë pjesë në një sërë takimesh zyrtare dhe evenimentesh sociale. Kjo ishte vizita e parë shtetëtore e një udhëheqësi botëror gjatë presidencës 15-mujore të zotit Trump.

Zoti Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump pritën të martën në një darkë luksoze presidentin francez Emmanuel Macron dhe bashkëshorten e tij Brigitte Macron, në praninë e më tepër se 100 të ftuarve, përfshirë zyrtarë të administratës Trump dhe ekzekutivë të korporatave kryesore amerikane.

Brenda 4 viteve, shpëton nga gjarpri, ariu dhe peshkaqeni

Dylan McWilliams, i cili javën e kaluar mori plagë të thellë në këmbë nga një sulm peshkaqeni teksa po notonte në ujërat e Hawait, më herët ka arritur t’i mbijetojë sulmeve nga ariu dhe gjarpri me zile

Një i ri 20 vjeçar nga shteti amerikan i Colorados brenda një periudhe prej më pak se katër viteve është sulmuar nga peshkaqeni, ariu dhe gjarpri me zile.

Sipas mediumeve vendore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Dylan McWilliams, i cili javën e kaluar mori plagë të thellë në këmbë nga një sulm peshkaqeni teksa po notonte në ujërat e Hawait, më herët ka arritur t’i mbijetojë sulmeve nga ariu dhe gjarpri me zile.

“Gjëja më e frikshme ishte notimi deri në brigje”, ka thënë McWilliams, i cili është trajtuar me shtatë qepje pas sulmit të peshkaqenit, duke shtuar se ka qenë i shqetësuar nga ndjekja e peshkaqenit për shkak të gjakut që ka rrjedhë nga plaga.

Ndërkaq, sulmi nga një ari ka ndodhur teksa ai po bënte kamping në muajin korrik të vitit të kaluar në Colorado, ka treguar McWilliams, duke thënë se kthetrat e ariut e kanë plagosur në zverk dhe se ka arritur të ikë pas rënies në tokë.

Po ashtu, ai ka rrëfyer edhe për kafshimin nga një gjarpër me zile para tre viteve e gjysmë në shtetin Utah, duke thënë se, fatmirësisht, kishte pësuar vetëm çrregullime të shkurtra pasi në trupin e tij kishte hyrë vetëm sasi e vogël e helmit.

McWilliams ka treguar se dëshiron të kalojë një pjesë të madhe të kohës në ajër të hapur dhe se ende nuk e ka kuptuar nëse është fatkeq për shkak të këtyre ndodhive, apo fatlum për faktin që ka arritur të shpëtojë. aa

Presidenti Trump nderon armenët në Ditën e Kujtesës

Presidenti Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah popullit armen në Ditën Armene të Kujtesës me rastin e 103 vjetorit të masakrës së armenëve nga turqit osmanë.

“Duke nderuar kujtimin e atyre që vuajtën, ne gjithashtu reflektojmë mbi angazhimin tonë për të garantuar që këto abuzime nuk do të përsëriten më,” tha zoti Trump përmes një deklarate të Shtëpisë së Bardhë. “Ne theksojmë rëndësinë për të njohur dhe për t’u ballafaquar me elementët e dhimbshëm të së kaluarës si një hap i rëndësishëm drejt një të ardhmeje më tolerante”.

Zoti Trump shtoi se respekton thellësisht “ngadhnjimin” e popullit armen, të cilët, thotë presidenti, kanë ndërtuar jetë të reja në Shtetet e Bashkuara dhe kanë dhënë kontribute të panumërta në këtë vend.

Në përfundim të masakrës dhe deportimeve nga Parandoria Osmane, mbi 1,5 milionë armenë kishin vdekur.

Ashtu si pararendësit e tij, Presidenti Trump nuk përdori termin “gjenocid” për masakrën e armenëve. Historianët e përdorin këtë term rregullisht, por Turqia, një aleate e Shteteve të Bashkuara në NATO, mohon se ka pasur një politikë të qëllimtë për spastrimin etnik të armenëve. Ankaraja thotë se vdekjet në masë të armenëve ishin rezultat i konflikteve të Luftës së Parë Botërore, përfshirë pushtimit rus.

Turqia po ashtu këmbëngul se numri i të vdekurve ishte shumë më i vogël se shifra prej 1,5 milion vetësh që përllogarisin historianët.


Send this to a friend