VOAL

VOAL

Presidenti Trump u takua me Kim Kardashianin

Ylli televiziv amerikan, Kim Kardashian, takoi presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të diskutuar faljen e mundshme të një gruaje 63 vjeçe, që po shërben dënimin me burgim të përjetshëm.

Alice Marie Johnson është në burg për më shumë se dy dekada, për shkelje që lidhen me drogën.

Presidenti Trump shkroi në Twitter se ka pasur “takim të shkëlqyeshëm” me Kardashian.

 

Great meeting with @KimKardashian today, talked about prison reform and sentencing. pic.twitter.com/uOy4UJ41JF

— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) May 30, 2018

Historia e Johnsonit ka kapur syrin e Kardashianit pasi ajo ka parë një video për rastin, të postuar në mediat sociale.

Kardashian ka thënë se është emocionuar dhe se ka kërkuar nga avokati i saj, Shawn Holley, të shikojë rastin.

Ajo po ashtu po paguan një ekip të ri ligjor për Johnson.

Kardashian i ka bashkuar forcat edhe me Jared Kushnerin, këshilltar i Trumpit, i cili po bën përpjekje për reformimin e burgjeve.

SHBA dënon Sirinë për njohjen e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit,  Heather Nauert.

 

 

Shtetet e Bashkuara e dënuan vendimin e Sirisë për të njohur dy rajonet separatiste të Gjeorgjisë, Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut, si shtete të pavarura.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert, tha përmes një deklarate se SHBA-ja “e dënon fuqishëm synimin e regjimit sirian për të krijuar marrëdhënie diplomatike me rajonet gjeorgjiane të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, të pushtuara nga Rusia”.

“Këto rajone janë pjesë e Gjeorgjisë”, tha Nauert.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara mbi Abkhazinë dhe Osetinë Jugore është i palëkundur”, shtoi ajo.

Deklarata e saj vjen një ditë pasi Gjeorgjia ka thënë se do t’i reduktojë marrëdhëniet diplomatike me Sirinë, pas vendimit të Damaskut për të njohur Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut si vende të pavarura.

Bashkimi Evropian po ashtu e dënoi veprimin e Sirisë, duke thënë se “shkel ligjin ndërkombëtar”.

Osetia e Jugut dhe Abkhazia janë rajone separatiste, të mbështetura nga Rusia, që kanë shpallur pavarësinë nga Gjeorgjia.

Rusia i ka njohur ato si shtete të pavarura pas një lufte pesëditore me Gjeorgjinë në vitin 2008.

Venezuela, Nikaragua dhe ishulli Nauru i Paqësorit e kanë njohur po ashtu pavarësinë e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut.

Probleme me shëndetin, shtrohet në spital ish-Presidenti amerikan George H.W. Bush

Ish-Presidenti George H.W. Bush është shtruar përsëri në spital për shkak të presionit të ulet të gjakut. Zëdhënësi i Bush lajmëroi se 93-vjeçari do të qëndrojë në spital për disa ditë.

Në postimin e bërë në Twitter ai tha: “Ish- Presidenti është mirë dhe i vetëdijshëm. Ai po trajtohet në spitalin Southern Maine Health Care dhe po merr kujdesin maksimal. Informacione të mëtejshme për shëndetin e tij do t’i japë familja e tij”. Kjo është hera e dytë në dy muaj që Bush shtrohet në spital.

Ai u shtrua në spital edhe ditën pas funeralit të bashkëshortes së tij, Barbara. Bush qëndroi në spital për 13 ditë për të trajtuar një infeksion.

Gruaja e tij 73-vjeçare u nda nga jeta më 17 prill, vetëm disa ditë pasi familja Bush lajmëroi se po vuante nga shëndeti dhe kishte vendosur të mos kërkonte të tjera trajtime mjekësore.

Giuliani: Prokurorët mund t’i ngrenë kurth Presidentit Trump

Presidenti amerikan Donald Trump dëshiron “me ngulm” t’u përgjigjet pyetjeve të hetimit penal për lidhjet e anëtarëve të fushatës së tij elektorale me Rusinë, por një nga avokatët e tij thotë se mbetet skeptik nëse duhet lejuar që Presidenti Trump të përballet me pyetjet e prokurorëve nëse ai pengoi drejtësinë duke u përpjekur të dëmtonte hetimin.

Avokati i Presidentit Trump, ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani, i tha sot kanalit CNN se prokurori i posaçëm Robert Mueller dëshiron ta marrë në pyetje Presidentin për dy tema kryesore: bashkëpunimin e mundshëm me Rusinë në muajt përpara zgjedhjeve, si dhe nëse u përpoq kur u bë President që të bllokonte hetimin duke shkarkuar drejtorin e FBI-së James Comey, i cili drejtonte hetimin për Rusinë, përpara se të emërohej në këtë detyrë prokurori i posaçëm Mueller.

Zoti Giuliani u shpreh se “jam ok me pjesën për bashkëpunimin pasi e dimë që nuk pati një gjë të tillë. Me pjesën për pengimin e drejtësisë nuk ndjehem komod. Unë nuk jam. Presidenti nuk e ka problem. Ai është i pafajshëm. Unë nuk jam komod më këtë pasi është çështje interpretimi dhe jo diçka konkrete, diçka e vërtetë apo jo e vërtetë”.

Ai shtoi se “nëse i interpreton komentet e tij për shkarkimin e zotit Comey… nëse i interpreton si pengim të drejtësisë dhe jo si shkarkimin e dikujt që po e bën punën keq… pra nëse e shikon si pengim të hetimeve, atëherë mund të thuash se është pengim i drejtësisë”.

Zoti Giuliani tha se anëtarët e ekipit ligjor të Presidentit janë të shqetësuar se ai mund të bjerë në kurthin e dëshmisë së rreme, kur ai të jetë duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve për arsyet e shkarkimit të zotit Comey. Në këtë rast dëshmia e rreme përbën veprën penale të gënjeshtrave nën betim.

Presidenti Trump pret amerikanin e liruar nga Venezuela

Presidenti Donald Trump priti në Shtëpinë e Bardhë 26-vjeçarin Joshua Holt, i cili sapo u kthye në atdhe pasi mbahej në një burg venezuelian që nga vera e 2016.

Në takimin me presidentin dhe zyrtarë të tjerë amerikanë, Joshua Holt falenderoi të gjithë ata që punuan për ta nxjerrë nga burgu. “Dy vitet që kalova në burg,” u shpreh ai, “ishin tepër të rënda. Aspak si pushimet që kisha ëndërruar me rastin e martesës. Por tani jemi bashkë, prandaj jam shumë mirënjohës ndaj të gjithë atyre që u përpoqën për mua”.

Holt dhe bashkëshortja e tij venezueliane Thamara Candelo mbërritën dje në Shtetet e Bashkuara të shoqëruar nga Senatori Bob Corker, i cili ndihmoi për lirimin e të riut.

Holt, ish- misionar mormon, kishte shkuar në Venezulë në qershor 2016 për t’u martuar me të fejuarën Candelo. Ai u arrestua nga policia venezueliane pas një bastisjeje të banesës së çiftit, nën akuzat se u gjetën armë dhe granata në banesë. Çifti i ka hedhur poshtë akuzat se zotëronte armë të fshehta.

Medalja e Nderit për një hero amerikan

Presidenti Donald Trump i ka dhënë nderimin më të lartë ushtarak pjesëtarit të një ekipi elitë të marinës ushtarake amerikane për aktet heroike në vitin 2002 për të shpëtuar një tjetër pjesëtar të ekipit. Duke e nderuar Specialistin Britt Slabinski, Presidenti Trump tha se akti i tij i vetëmohimit në ndihmë të një bashkëluftëtari dëshmon shpirtin e patriotëve amerikanë.

Presidenti Trump i dha Medaljen e Nderit Specialistit Britt Slabinski, i shtati pjesëtar i ekipeve elitë Navy Seal që merr këtë nderim.

“Përmes akteve tua, ke demonstruar se nuk ka dashuri më të pastër, kurajo më të madhe, se sa dashuria dhe kurajoja në zemrat e patriotëve amerikanë. Ne gëzojmë lirinë sepse luftëtarë si ti janë të gatshëm të japin djersë, gjak dhe madje edhe jetën nëse është e nevojshme për këtë vend,” tha presidenti.

Specialisti Slabinski ishte në një mision ushtarak në Afganistan në një zonë malore të mbuluar nga bora në territor ku vepronte al-Kaida.

Thuajse menjëherë ekipi i tij u sulmua nga armiku që arriti të godasë helikopterin e tyre.

Gjatë kaosit, anëtari i ekipit, nënoficeri Neil Roberts ra nga helikopteri dhe u nda nga grupi.

“Mora vendimin se do të realizonim një operacion të shpejtë shpëtimi për të gjetur Neilin,” tregon Specilisti Britt Slabinski.

Slabinski udhëhoqi ekipin, megjithëse më të dobët në numër dhe armatosje se armiku.

“Shumë gjëra nuk ishin në favorin tonë, por nuk mund të prisnim deri sa gjërat të ishin në favorin tonë. Nuk mendoja se koha premtonte për të shpëtuar Neilin. E kisha të qartë kur u nisa se mund të mos kthehesha,” tregon specilisti i nderuar me medalje.

Nën breshërinë e plumbave, Specialisti Slabinski sulmoi pozicionet e al-Kaidës, duke hedhur granata, duke kërkuar mbështetje nga ajri dhe duke mbajtur në krah një shok të plagosur rëndë për ta nxjerrë jashtë zonës së rrezikut.

Tani që mban Medaljen e Nderit, sakrifica dhe trimëria e tij po nderohen nga gjithë bota.

Merret vendimi: Lu ik nga Shqipëria, ja ku caktohet ambasador

Nuk ka me asnje dileme rreth faktit qe ambasadori amerikan do te lere shpejt Shqiperine.

Në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë ne nje publikim te fundit sqarohet tashme i eshte dërguar Senatit lista me 7 levizjet e fundit.

Sipas ketij publikimi, kryediplomati i SHBA ne vendin tone, Donald Lu do te caktohet Ambasador i Jashtëzakonshëm e i Gjithëpushtetshëm i Amerikës në Republikën e Kirgizistanit.

Seanca me ligjvënësit për informatorin që Presidenti Trump e quan “spiun”

Zyrtarë të lartë të zbulimit dhe rendit, pritet të informojnë dy grupe ligjvënësish të enjten në lidhje me hetimin për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016. Një prej senacave do të jetë vetëm me tre republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe një tjetër me një grup dypartiak. Takimet vijnë ndërsa presidenti Trump ka intensifikuar sulmet ndaj komunitetit të zbulimit.

Në sesionin e parë zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosentstein, Shefi i Personelit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly, Drejtori i Zbulimit Kombëtar Dan Coats and Drejtori i FBI-së Christopher Wray do të takohen me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, kreun e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, Davin Nunes dhe kryetarin e Komisionit për Reformë Qeveritare, Trey Gowdy.

Shtëpia e Bardhë e organizoi takimin me tre ligjvënësit republikanë që duan më shumë informacion për një informator të FBI-së që kishte pasur kontakte me zyrtarë të fushatës së zotit Trump gjatë fushatës së vitit 2016.

Demokratët u ankuan se takimi ishte i papërshtatshëm dhe kërkuan një sesion të zgjeruar që të përfshinte një grup dypartiak prej tetë senatorësh dhe anëtarësh të Dhomës së Përfaqësuesve.

Kërkesa u plotësua, por jo për të zëvendësuar takimin e parë. Takimi i dytë do të mbahet disa orë pas atij me dy republikanët.

Presidenti Trump përdori termin “SPYGATE” për përdorimin nga FBI-ja të një informatori për të folur me tre nga zyrtarët e fushatës së tij të vitit 2016 duke thënë se kjo “mund të jetë nga nga skandalet politike më të mëdha në histori!”

Zemërimi i zotit Trump kishte në qendër përdorimin e mundshëm të një informatori të FBI-së për të raportuar rreth bisedave mbi politikën e jashtme që ai kishte pasur me tre këshilltarë të zotit Trump: Carter Page, Sam Clovis and George Papadopoulos.

Informatori I FBI-së, është identifikuar si studiuesi amerikan I politikës së jashtme në Universitetin e Kembrixhit, Stefan Halper.

Në kohën që e kishte përdorur Halperin si informator, FBI-ja po hetonte mbi lidhjet e mundshme të fushatës së zotit Trump me interesa ruse në fazat e fundit të fushatës së vitit 2016, që më pas u shndërrua në hetimin aktual të prokurorit të posaçëm Robert Mueller.

Presidenti Trump ka thënë se FBI-ja e kishte futur Halperin qëllimisht në fushatën e tij për të informuar nga brenda.

Trumpi anulon takimin e nivelit të lartë me Korenë e Veriut

Shtëpia e Bardhë njoftoi përmes një deklarate se është anuluar takimi mes Presidentit Trump dhe udhëheqësit koreno-verior Kim Jong un, pas komenteve të sotme nga autoritetet në Phenian, që u shprehën se Koreja e Veriut është e gatshme për të dyja: ballafaqim bërthamor, ose për bisedime në tryezën e negociatave. Po sot Pheniani u shpreh me terma fyese në adresë të Nënpresidentit Mike Pence, duke e cilësuar si një “politikan kukull”. Në letrën e tij drejtuar udhëheqësit koreano-verior, Presidenti Donald Trump shkruan se revoltimi dhe armiqësia e hapur e shfaqur në deklaratat e fundit të Phenianit, e bën të papërshtatshëm për momentin zhvillimin e takimit të shumëpritur.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha sot në seancën informuese në Senat, se një ndër arsyet për anulimin e takimit ishte edhe heshtja nga pala koreano-veriore ndaj kërkesave të përsëritura të Uashingtonit për hollësi lidhur me përgatitjet për takimin.

Anulimi i takimit bëhet ndërkohë që Koreja e Veriut përmbushi sot zotimin për të shkatërruar një ndër objektet që përdorej për prova bërthamore, duke kryer shpërthime në Punggye-ri, një rrjet tunelesh nën malin Mantap.

Objekti i provave bërthamore në pjesën e largët veri-lindore të vendit u shkatërrua nga shpërthimet që zgjatën disa orë dhe që u ndoqën në distancë nga gazetarë të huaj.

Koreja e Veriut e kishte bërë të ditur vendimin për ta shkatërruar objektin para se të bëheshin të njohura planet për takim mes udhëheqësit Kim Jong Un dhe Presidentit Trump. Masa ishte përshëndetur si një gjest i vullnetit të mirë nga Pheniani.

Por ekspertët thonë se kjo masë nuk ishte hapi i fundit dhe se nevojitej shumë më tepër për të përmbushur kushtet që i ka parashtruar administrata Trump Phenianit për çmilitarizim të plotë bërthamor.

Përveç gazetarëve të ftuar, Pheniani nuk kishte lejuar ekspertë të fushës bërthamore të ndiqnin shpërthimet e sotme. Njohës të fushës thonë se edhe pas akteve të ndërmarra sot, objekti nuk është plotësisht jashtë përdorimit, po ashtu Koreja e Veriut ka plot male të tjera ku mund të ndërtohen tunele për prova në të ardhmen.

SHBA parandaloi një sulm të madh kibernetik rus

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se ka kapur një domen interneti, të kontrolluar nga një grup hakerësh i lidhur me inteligjencën ushtarake ruse, i cili ka planifikuar një sulm të madh kibernetik, me gjasë në Ukrainë.

Autoritetet amerikane thanë se ky domen do t’iu mundësonte hakerëve të marrin kontrollin e kompjuterëve dhe të vidhnin informacione të vlefshme.

Më herët, Agjencia për Siguri e Ukrainës ka paralajmëruar për sulme të mundshme kibernetike nga Rusia gjatë ngjarjeve të mëdha, të tilla si ndeshja finale e Ligës së Kampionëve në futboll, e planifikuar për 26 maj në Kiev.

Ndihmësi i drejtorit të FBI-së, Scott Smith, tha se kjo agjenci amerikane “ka marrë një hap kritik në minimizimin e sulmit kibernetik”.

FBI tha se domeni është krijuar nga një grup hakerësh që e quan veten Fancy Bear.

Ky grup fajësohet për një varg sulmesh në disa qeveri dhe caqe të ndjeshme, si rrjetet e energjisë, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Agjencia Botërore Anti-Doping.

Avokati i Trumpit “është paguar” nga Ukraina për të organizuar takimet në Shtëpinë e Bardhë

Michael Cohen, avokati personal i presidentit amerikan, Donald Trump ka pranuar një pagesë sekrete rreth 400,000 dollarë për të organizuar bisedimet në mes të presidentit ukrainas, Petro Poroshenko dhe Trumpit, është bërë e ditur sipas disa burimeve në Kiev, transmeton BBC.

Pagesa është planifikuar nga ndërmjetësuesit e liderit ukrainas, Petro Poroshenko kanë njoftuar këto burime, ndonëse Cohen nuk ka qenë i regjistruar si përfaqësues për Ukrainën, siç kërkohet me ligjin amerikan.

Takimi ka ndodhur në Shtëpinë e Bardhë në qershor të vitit të kaluar.

Pak kohë pasi Poroshenko është kthyer në shtëpi, agjencia ukrainase kundërkorrupsionit ka ndalur hetimet për ish-udhëheqësin e fushatës së Trumpit, Paul Manafort.

Një zyrtar i inteligjencës ukrainase në administratën e Poroshenkos ka përshkruar se çfarë ka ndodhur para vizitës në Shtëpinë e Bardhë.

Cohen është dërguar në takim, pasi lobistët e regjistruar të Ukrainës dhe ambasada ukrainase në Uashington kanë kërkuar më shumë se vetëm një fotografi të Trumpit me Poroshenkon.

Lideri ukrainas ka kërkuar diçka që mund të portretizohej si “bisedime”.

Deklarata e këtij zyrtari është si vijon: Poroshenko ka vendosur të krijojë një kanal me Trumpin. Detyra i është dhënë një ish-ndihmësi, i cili ka kërkuar ndihmë nga një ligjvënës ukrainas.

Nuk ka ndonjë supozim se Trump ka pasur njohuri për pagesat.

Një burim i dytë në Kiev i ka dhënë detajet e njëjta, mirëpo sipas tij Cohen është paguar 600,000 dollarë.

SHBA, zgjerohet hetimi mbi ndërhyrjen ruse

Departamenti i Drejtësisë do të zgjerojë hetimet lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, duke përfshirë dhe pretendimet e Donald Trumpit se FBI-ja kishte futur një informator për të përgjuar fushatën e tij presidenciale.

Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë erdhi pas kërkesës së zotit Trump për një hetim dhe takimin e tij të zhvilluar dje me Zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm Rod Rosenstein dhe drejtorin e FBI-së Christopher Wray.

Shtëpia e Bardhë tha gjithashtu se Departamenti i Drejtësisë do të punojë me udhëheqësit e Kongresit për të shqyrtuar dokumente “shumë sekrete”, në lidhje me pretendimin e presidentit Trump.

Pas një takimi dje me presidentin Trump, zoti Rosenstein tha se “nëse dikush përgjon anëtarët e një fushate presidenciale për qëllime të papërshtatshme, ne duhet ta dimë dhe të ndërmarrim veprimet e duhura”.

Ndërkohë, Prokurori i Posaçëm Robert Mueller po heton nëse zyrtarët e fushatës së zotit Trump kanë bërë një marrëveshje të fshehtë me Rusinë, duke ndërhyrë në fushatën e vitit 2016. Zoti Mueller po heton gjithashtu, nëse vetë zoti Trump ka penguar drejtësinë, duke shkarkuar ish-drejtorin e FBI-së James Comey, i cili po hetonte lidhur me akuzat.

Betohet e para grua në krye të CIA-s

Në ceremoninë e betimit të 61 vjeçares Haspel, që u mbajt në selinë qëndrore të CIA-s në dalje të Uashingtonit, mori pjesë edhe Presidenti Donald Trump.

“Gina është e fortë, e vendosur dhe kur vjen puna për të mbrojtur Amerikën, ajo nuk tërhiqet kurrë”, tha presidenti Trump. “Burrat dhe gratë e kësaj agjencie meritojnë udhëheqje të jashtëzakonshme dhe atë po marrin“, tha ai.

Zoti Trump e quajti zonjës Haspel “një person shumë të veçantë … që i ka shërbyer vendit me aftësi dhe përkushtim të jashtëzakonshëm”.

“Askush në këtë vend nuk është më i kualifikuar se ju për këtë detyrë të jashtëzakonshme”, i tha presidenti zonjës Haspel.

Gina Haspel zëvendëson në këtë detyrë Mike Pompeon, i cili së fundmi mori detyrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit. Zoti Pompeo ishte gjithashtu i pranishëm në ceremoninë e betimit të drejtores së re të CIA-s.

Për zonjën Haspel puna e saj në CIA dhe ajo punonjësve të tjerë të shërbimit të fshehtë amerikan është “më shumë se një karrierë”. Sipas saj, ajo ka të bëjë më tepër me “një thirrje” për të mbrojtur vendin nga sulmet terroriste.

Ne jemi më të mirët dhe sfida jonë është të jemi gjithmonë më të mirët”, u tha ajo punonjësve të CIA-s gjatë fjalimit të saj.

Senati amerikan e miratoi kandidaturën e zonjës Haspel të enjten e kaluar me 54 vota pro dhe 45 kundër, duke i dhënë fund një procesi të trazuar të emërimit saj, gjatë të cilit ligjvënësit rishqyrtuan praktikat e mëparshme të marrjes në pyetje që zbatoheshin nga CIA.

Gjashtë demokratë votuan në favor të zonjës Haspel, ndërsa dy republikanë e kundërshtuan emërimin e saj.

Udhëheqësi i shumicës në senatin amerikan Mitch McConnell, një republikan i Kentakit, e vlerësoi zonjën Haspel si “të kualifikuar në mënyrë të veçantë për t’u përballur me sfidat më të mëdha të sigurisë kombëtare të Amerikës”, duke shtuar se ajo “ka fituar respektin dhe admirimin e burrave dhe grave të CIA-s”.

Përzgjedhja nga zoti Trump e zonjës Haspel për drejtimin e agjencisë së zbulimit shkaktoi polemika, duke pasur parasysh gabimet e saj me praktikat e ashpra të marrjes në pyetje të të burgosurve pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Amerikë. Ajo gjithashtu shkroi një dokument, nëpërmjet së cilit autorizonte shkatërrimin e video-kasetave të agjencisë së zbulimit, në të cilat sipas shumë studiuesve ligjorë ishin filmuar torturat ndaj të dyshuarve për terrorizëm.

Demokrati Patrick Leahy njoftoi kundërshtimin e tij ndaj zonjës Haspel pak përpara votimit, duke i quajtur disa nga dokumentat mbi veprimtarinë e saj “shqetësuese”.

“Nuk e vë në dyshim angazhimin e znj. Haspel në funksion të sigurinë sonë kombëtare. Ajo ç’ka vë në dyshim është besnikëria e saj ndaj një vlere thelbësore të kombit tonë, asaj që të gjithë njerëzit kanë të drejta të caktuara, të patjetërsueshme”, tha zoti Leahy në një deklaratë duke shtuar se dinjiteti themelor i qenieve njerëzore “është i papajtueshëm me praktikat ç’njerëzore sikurse torturat”.

Gjatë seancës për miratimin e saj, zonja Haspel në mënyrë të përsëritur nuk pranoi të thotë nëse teknikat e ashpra të marrjes në pyetje ishin moralisht të gabuara. Megjithatë javën e kaluar, ajo i shkroi një letër përfaqësuesit më të lartë të demokratëve në komision, Mark Warner, ku shkruante se CIA nuk duhet të kishte kryer praktika abusive të marrjes në pyetje.

“Si drejtore e CIA-s, Gina Haspel do të jetë zyrtarja e parë e operacioneve në më shumë se pesë dekada, që do të udhëheqë agjencinë,” tha zoti Warner në një deklaratë. “Besoj se ajo është dikush që mundet dhe nuk do të lëkundet, nëse presidenti e urdhëron të bëjë diçka të paligjshme apo të pamoralshme siç mund të jetë kthimi tek praktikat e torturës”, tha ai.

Mike Pence: Koreja e Veriut mund ta përjetojë fatin e Libisë

“Këto ditë ka pasur mjaft rrëfime për krizën në Libi. Në këtë kontekst, siç tha në mënyrë të qartë edhe presidenti Trump, Koreja e Veriut mund të përfundojë pikërisht si Libia, nëse Kim Jong – un nuk pajtohet për marrëveshje”, tha Pence

UASHINGTON – Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence paralajmëroi Korenë e Veriut se mund të përjetojë fatin e Libisë, nëse nuk arrihet marrëveshje për programin bërthamor koreanoverior.

“Këto ditë ka pasur mjaft rrëfime për krizën në Libi. Në këtë kontekst, siç tha në mënyrë të qartë edhe presidenti amerikan Donald Trump, Koreja e Veriut mund të përfundojë pikërisht si Libia, nëse Kim Jong – un nuk pajtojhet për marrëveshje”, tha Pence në intervistë për Fox News.

Në pyetjen nëse ky është është kërcënim për regjimin verikorean, Pence tha se kjo është edhe më shumë, realiteti i hidhur që e pret Phenianin.

Këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton javën e kaluar deklaroi se Washingtoni nuk dëshiron të përsërisë skenarin e Libisë me të cilin ish-presidenti amerikan George W. Bush nënshkroi marëveshjen bërthamore në vitin 2003, ndërsa me intervenim shtesë u përmbys regjimi i Muammar Gaddaffit.

Presidenti i SHBA-ve Trump tha se nuk dëshiron që modelin libian ta zbatojë në Korenë e Veriut, porse doemos duhet të diskutohet për atë nëse nuk arrihet marrëveshje.

Autoritetet e Koresë së Veriut reaguan pas deklaratës së Bolton-it dhe Trumpit, ndërsa deklarata e fundit e Pence mund në mënyrë shtesë të shkaktojë reagime nga Pheniani.

Trump më 12 qershor duhet të takohet me liderin verikorean Kim Jong-un në Singapor. aa

Hetime mbi motivet e përdorimit të informatorit nga FBI

Departamenti amerikan i Drejtësisë, nën presionin e Presidentit Donald Trump, i ka kërkuar Inspektorit të Përgjithshëm të shqyrtojë nëse hetimet e FBI-së lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës janë nxitur nga motive politike.

Të hënën pritet që presidenti të takohet me zëvëndës Prokurorin e Përgjithshëm Rosenstein, drejtorin e FBI-së Wray dhe drejtorin e Agjencisë së Zbulimit Kombëtar Coats lidhur me çështjen e përgjimit.

Departamenti i Drejtësisë veproi pas një postimi në twiter të zotit Trump të dielën. Ai kërkonte që departamenti të shqyrtojë nëse Byroja Federale e Hetimeve “ka përgjuar” fushatën e tij “për qëllime politike” dhe nëse një kërkesë e tillë është bërë nga njerëz brenda administratës Obama”.

Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili po mbikëqyr hetimin penal të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen ruse, tha se: “nëse dikush ka vëzhguar anëtarët e një fushate presidenciale për qëllime të papërshtatshme, ne duhet të dimë dhe të ndërmarrim veprimet e duhura”.

Veprimi i Departamentit të Drejtësisë shmangu një përplasje të mundshme me zotin Trump.

Brenda pak minutash nga tweetet e presidentit i cili kërkonte hetim për këtë çështje, anëtarët e administratës së ish-Presidentit Barak Obama dhe të tjerë reaguan me alarm. Ata thanë se besonin se kërkesa e zotit Trump për të hetuar, ishte potencialisht ndërhyrja më serioze në sistemin amerikan të drejtësisë, pas shkarkimit nga presidenti të ish drejtorit të FBI-së James Comey, ndërsa ai zhvillonte hetime lidhur me ndërhyrjen e rusisë në zgjedhje.

Të shtunën zoti Trump u ankua se FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë kishin përgjuar fushatën e tij përmes një informatori. Disa agjenci lajmesh e kanë identifikuar informatorin si Stefan Halper, një profesor amerikan 73-vjeçar i universitetin Britanik të Kembrixhit, i cili ka punuar dekada më parë për tre administrata të tjera republikane.

Melania Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë pas operacionit në veshkë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump. Foto nga arkivi

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump është kthyer në Shtëpinë e Bardhë pasi i është nënshtruar një operacioni këtë javë, ka njoftuar zyra e saj.

Melania Trump, 48-vjeçare, iu nënshtrua të hënën një operacioni në veshkë në Qendrën Mjekësore Ushtarake Walter Reed në Uashington, transmeton Reuters.

Zëdhënësja e saj, Stephanie Grisham përmes një deklarate tha se Zonja e Parë është kthyer në Shtëpinë e Bardhë, mëngjesin e së shtunës.

“Ajo është duke pushuar dhe është në gjendje të mirë. Zyra jonë ka pranuar mijëra telefonata dhe emaile që i kanë uruar shërim të shpejt zonjës Trump dhe ne i falënderojmë të gjithë”, ka thënë ajo.

Trumpi takon Guterresin në Shtëpinë e Bardhë

Në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë njoftohet se në takimin Trump-Guterres janë diskutuar çështjet të tilla si Koreja e Veriut, Siria, Irani dhe reformat në OKB

UASHINGTON – Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një takim me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres.

Në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë njoftohet se në takimin Trump-Guterres janë diskutuar çështjet të tilla si Koreja e Veriut, Siria, Irani dhe reformat në OKB.

Bëhet e ditur se gjatë bisedës, Trump ka shprehur mbështetjen ndaj Guterres që OKB të punojë në mënyrë më efikase dhe frytdhënëse. Po ashtu njoftohet se Trump dhe Guterres kanë theksuar se në periudhën në vijim do të vazhdojnë të bashkëpunojnë për çështjet themelore në fushën ndërkombëtare.

Ndërsa në anën tjetër Trump në një postim nga llogaria e tij në Twiter në lidhje me takimin në fjalë ka shprehur falënderimet e tij për sukseset e Guterres dhe përfaqësueses së përhershme të SHBA-ve në OKB, Nikki Haley. aa

Trump: Departamenti i Drejtësisë kishte futur një “spiun” në fushatë

Presidenti Donald Trump akuzoi Departamentin e Drejtësisë të premten se ishte përpjekur për ta futur në kurth, duke i vendosur një “spiun” në fushatën e tij të vitit 2016, një pohim që vetë avokati i tij, tha se mund të mos jetë i vërtetë.

Duke i dhënë zë një teorie që po qarkullon në qarqet konservatore, zoti Trump citoi një postim në twitter të gazetarit të Fox News-it, David Asman, që shkruante: “mesa duket Departamenti i Drejtësisë ka vendosur një spiun në fushatën e zotit Trump. Kjo nuk është bërë kurrë më parë, për asnjë arsye. U bë me qëllimin për ta futur në kurth Donald Trumpin, për krime që nuk i ka kryer”.

Por avokati i presidentit Trump, Rudy Giuliani, hodhi dyshime rreth kësaj çështjeje.

I pyetur nëse kishte patur një “informator” në fushatën presidenciale të vitit 2016, zoti Giuliani i tha rrjetit mediatik CNN: “nuk e di me siguri as presidenti, nëse ka patur vërtet një të tillë”, megjithëse ai tha se prej kohësh ka patur zëra për “një lloj infiltrimi”.

Javën e kaluar, revista konservatore “National Review”, ngriti pikëpyetje rreth futjes së një agjenti të mundshëm të FBI-së në fushatën e zotit Trump. Artikulli përmend punën e bërë nga ligjvënësi Devin Nunes, një përkrahës i zjarrtë i zotit Trump dhe kryetar i komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili ka kërkuar informacion lidhur me një burim të FBI-së për hetimet lidhur me Rusisë.

Në një shkrim të gazetës “New York Times” këtë javë, thuhej se të paktën një informator i qeverisë është takuar disa herë me Carter Page dhe George Papadopoulos, të dy ish-këshilltarë për politikën e jashtme gjatë fushatës presidenciale të zotit Trump. Gazeta i referohej si burim zyrtarëve aktualë dhe ish zyrtarëve të FBI-së.

Gjithashtu të premten, zoti Giuliani tha se Prokurori i Posaçëm Robert Mueller i ka ngushtuar subjektet e tij të hetimit nga pesë në dy, ndërsa vazhdojnë negociatat nëse presidenti do të intervistohet prej tij lidhur me hetimin për Rusinë.

Zoti Mueller po heton lidhur me një koordinim të mundshëm mes Rusisë dhe zyrtarëve të fushatës së zotit Trump.

Sipas zotit Giuliani ekipi ligjor i zotit Trump nuk pret që ai të pyetet për avokatin e tij personal Michael Cohen, i cili po përballet me një hetim të veçantë kriminal në Nju Jork. Zoti Giuliani nuk dha shumë detaje shtesë, duke thënë se disa pyetje janë ende “subjekt negociatash”.

Senati konfirmon zonjën Haspel drejtore të CIA-s

Senati amerikan konfirmoi të enjten zonjën Gina Haspel si drejtoren e re të CIA-s, gruaja e parë që shërben në këtë post.

Emërimi i zonjës Haspel për të drejtuar agjencinë e spiunazhit ringjalli një debat rreth praktikave tashmë të ndaluara të torturës. Ajo u konfirmua pasi disa demokratë iu bashkuan shumicës republikanëve duke thënë se ata do ta mbështesnin kandidaten e paraqitur nga Presidentit Donald Trump.

Udhëheqësi i shumicës republikane Mitch McConnell arriti të bindte anëtarët ta miratonin emërimin e zonjës Haspel megjithë kundërshtimet e disave, duke përfshirë senatorin John McCain, i cili u kishte bërë thirrje kolegëve ta hidhnin poshtë atë.

Republikanët vlerësuan karrierën 33-vjeçare të zonjës Haspel në CIA, nga operative në shumë vende të botës e deri tek emërimi për të shërbyer si drejtoresha e parë grua e agjencisë.

Komisioni i senatit mbështet zonjën Haspel për drejtore të CIA-s

Gina Haspel, kandidatja për postin e drejtores së Agjencisë Qendrore të Zbulimit, mori sot mbështetjen e komisionit të çështjeve të zbulimit në senatin amerikan.

Emërimi i saj kalon tani në senatin e plotë, ndoshta javën e ardhshme, për konfirmimin përfundimtar.

Pesë senatorë demokratë kishin deklaruar se do të votonin në favor të zonjës Haspel në senatin ku republikanët kanë një shumicë të vogël.

Të hënën, zonja Haspel i drejtoi një letër senatorit Mark Warner, demokratit më të lartë në komisionin e zbulimit, ku shkruante se CIA nuk duhet të kishte zbatuar një praktikë të ashpër për marrjen në pyetje të personave të dyshuar për terrorizëm, siç u veprua pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Kjo praktikë, e paraqitur gjatë kohës kur president ishte George W. Bush, lejonte simulimin me mbytje dhe masa të tjera të ashpra kundër të dyshuarve për terrorizëm. Kritikët e quajnë këtë metodë një formë torture.

Zonja Haspel shkruante se “CIA nuk duhet të kishte zbatuar praktika të tilla”, qëndrim që ajo nuk e shprehu publikisht gjatë seancave të konfirmimit javën e kaluar.

“Ndonëse nuk i dënoj ata që morën këto vendime të vështira – dhe unë e kam vënë në dukje informacionin e vlefshëm të nxjerrë me këto metoda, – kjo praktikë në fund të fundit i ka dëmtuar oficerët tanë dhe imazhin tonë në botë”, shkruante zonja Haspel.

Gjatë seancave të dëshmisë në senat, ajo premtoi se nuk do ta rifillonte zbatimin e kësaj praktike.

Pas leximit të letrës së zonjës Haspel, senatori Warner shpërndau një deklaratë, ku thoshte se do ta mbështeste kandidaten për drejtore të CIA-s.

Ai shkruante se zonja Haspel është përfaqësuese e mijëra punonjësve të CIA-s, të cilët “shërbejnë në heshtje, pa iu njohur meritat dhe shpesh duke rrezikuar jetën, për ta mbajtur vendin të sigurt nga ata që duan t’i bëjnë dëm”.

Senatori shkruante se ndonëse kishte dëshiruar që zonja Haspel të kishte qenë “më e hapur me publikun” gjatë dëshmisë së saj para komisionit, ai mendonte se ajo u tregua “profesionale dhe e hapur”. Ai tha se besonte se zonja Haspel do t’i rezistonte presidentit nëse “do të urdhërohej të ndërmerrte diçka të paligjshme dhe të pamoralshme, siç mund të ishte rikthimi tek tortura.”

Zonja Haspel luajti një rol kyç në programin e marrjes në pyetje, duke përfshirë mbikëqyrjen e një qendre sekrete të marrjes në pyetje të CIA-s në Tajlandë dhe asgjësimin e kasetave.

Disa demokratë ishin ankuar se administrata Trump nuk i kishte vënë në dispozicion publikut të gjitha të dhënat për zonjën Haspel, duke përfshirë një raport të klasifikuar të Departamentit të Drejtësisë të përgatitur nga një prokuror i posaçëm që hetoi çështjen e asgjësimit të kasetave.

Publikohen intervistat e Donald Trump Jr për takimin me avokaten ruse

Donald Trump Jr. i tha Komisionit Juridik të Senatit se nuk i kujtohej nëse kishte diskutuar me të atin për hetimin mbi Rusinë, sipas intervistës së zbardhur të tij me këtë komision vitin e kaluar.

Komisioni bëri sot publike mbi 1 mijë e 800 faqe intervistash të zbardhura me të birin e zotit Trump dhe të tjerë që u takuan me një avokate ruse në Trump Tower para zgjedhjeve të vitit 2016.

Trump Jr. iu shamng shumë pyetjeve gjatë intervistës, përfshirë nëse kishte diskutuar me të atin për hetimin mbi Rusinë.

Sipas dokumentave të zbardhur, i biri i Presidentit tha gjithashtu se nuk mendonte se kishte ndonjë të keqe me takimin në Trump Tower, ku atij iu premtuan të dhëna që mund t’i shkaktonin dëm Hillary Clintonit.

I pyetur nëse mendonte se do të ishte problem që të merrte pjesë në një takim, që i ishte paraqitur si pjesë e përpjekjes së qeverisë ruse për të ndihmuar të atin, Donald Trump Jr tha “jo”.

“Jo, nuk mendova se do të ishte problem të dëgjoja informacione të rëndësishme për karakterin e një kandidateje presidenciale”, tha ai.

Takimi po shqyrtohet në hetimin e Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller.

Përveç Trump Jr, komisioni intervistoi edhe katër persona të tjerë që morën pjesë në takimin e Nju Jorkut. Komisioni nuk intervistoi avokaten ruse, Natalia Veselnitskaya në qendër të takimit.

Publikohet transkripti i takimit të ndihmësve të Trumpit me delegacionin rus

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Një panel i Senatit amerikan ka publikuar dokumente të takimit në mes të ndihmësve të fushatës së Trumpit dhe delegacionit rus në qershor të vitit 2016.

Transkripti me 2,500 faqe konfirmon se Donald Trump Junior, djali i presidentit amerikan, Donald Trump ka kërkuar “njollosjen” e kandidates demokrate, Hillary Clinton, raporton BBC.

Ky takim është pjesë e një hetimi të vazhdueshëm nga Departamenti i Drejtësisë lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Komiteti i Gjyqësorit të Senatit, që ka kryer hetime për ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane, e ka intervistuar Trump Jr. dhe katër persona të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në takimin e 9 qershorit në Trump Tower në Nju Jork.

Rob Goldston, që ka aranzhuar takimin me avokaten ruse Natalia Veselnitskaya, lobistin ruso-amerikan, Rinat Akhmetshin dhe biznesmenin gjeorgjiano-amerikan, Ike Kaveladze, po ashtu ka dhënë dëshminë e tij para Senatit.

Komiteti nuk ka intervistuar dhëndërin e presidentit Trump, Jared Kushner dhe menaxherin e atëhershëm të fushatës së Trumpit, Paul Manafort, të cilët po ashtu kanë marrë pjesë në këtë takim.

Donald Trump njofton në Twitter: Tumor në veshka, Melania Trump iu nënshtrua operacionit

Zonja e Parë në SHBA Melania Trump i është nënshtruar një operacioni në veshka.

Zyra e saj bëri të ditur se Zonja e Parë vuante nga një tumor beninj dhe se operacioni shkoi me sukses.

Mjekët kryen një procedurë embolizimi dhe Melanias i duhet të qëndrojë për një javë e shtruar në spital për t’u rikuperuar.

Për gjendjen e saj ka reaguar dhe presidenti Donald Trump,  në një postim në Twitter duke thënë se ishte duke shkuar për të takuar Melanin pas operacionit të suksesshëm.

“Melania Trump iu nënshtrua një procedure embolizimi për të trajtuar një problem beninj në veshkë,” thuhet në deklaratë. “Procedura ishte e suksesshme dhe nuk pati komplikacione. Ajo do të qëndrojë në spital pjesën tjetër të javës. Zonja e Parë pret të shërohet sa më shpejt që të punojë për fëmijët kudo”.

Ligjvënës republikanë propozojnë Presidentin Trump për Çmimin Nobel

Çmimi Nobel për Paqen i jepet çdo vit një personi apo një grupimi që “ka punuar më shumë dhe më mirë për vëllazërinë mes kombeve”. Që kur u dha për herë të parë në vitin 1901, ky çmim i është dhënë aktivistëve socialë si Martin Luther King Jr., Nelson Mandela, Muhammad Yunus, organizatës së Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, dhe vetëm një vit më parë iu dha Fushatës Ndërkombëtare për Eliminimin e Armëve Bërthamore. Tani, një grup ligjvënësish republikanë kanë propozuar Presidentin Donald Trump për marrjen e këtij çmimi.

Disa ligjvënës republikanë propozojnë Presidentin Trump si kandidat për Çmimin Nobel për Paqen të vitit 2019, për përpjekjet për të vendosur paqen në gadishullin korean. Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, e mbështeti idenë.

“Mendoj se Presidenti Moon u tregua shumë i mirësjellë kur e sugjeroi. Unë dëshiroj të arrijmë paqen. Kjo është kryesorja”, deklaroi Presidenti Trump.

Kritikët ngrenë pikëpyetje rreth dëshirës së tij për paqe, duke sjellë në vëmendje se Presidenti Trump ka bërë thirrje për rritje të shpenzimeve ushtarake dhe të arsenalit bërthamor të Amerikës dhe se nuk e përjashton mundësinë e ushtrimit të forcës ndaj Koresë së Veriut.

Por mbështetësit, si senatori republikan Lindsey Graham, thonë se çmimi do të vlerësonte potencialin e ri për paqe që ai ka krijuar. Ai shkruante në Twitter se: “Nëse Presidenti Trump na udhëheq drejt dhënies fund të Luftës Koreane pas gati 70 vjetësh, apo nëse Koreja e Veriut braktis vërtet programin e saj bërthamor, atëherë ai meriton Çmimin Nobel për Paqen dhe madje edhe më shumë”.

Për shumë njerëz, fjala “nëse” është kyçe. Një marrëveshje e përhershme paqeje në Gadishullin Korean është e pasigurtë dhe megjithëse palët kanë rënë dakort për takime, asgjë nuk është e sigurtë. Vetë Presidenti Trump ka thënë në mënyrë të përsëritur se nëse bisedimet nuk janë të frytshme, ai “do të largohet nga takimi”.

Por mungesa e një marrëveshjeje për paqe nuk e ka penguar komitetin e Nobelit në të kaluarën. Lufta e Vietnamit nuk kishte mbaruar, kur Lee Duc Tho dhe Henry Kissinger morën çmimin. Yasser Arafat, i cili e mori çmimin së bashku me udhëheqësit izraelitë Yitzhak Rabin dhe Shimon Peres për përpjekjet për një proces paqeje në Lindjen e Mesme, u shpreh në atë kohë se “nuk do të ndalemi derisa të kthehemi në shtëpitë tona dhe Izraeli të jetë shkatërruar”.

Po kështu, nuk është e nevojshme të sjellësh paqe për t’u propozuar për Çmimin Nobel për Paqen. Në listë figurojnë emrat e Juan Peron, tre herë president i Argjentinës që kufizoi liritë civile; udhëheqësi fashist italian Benito Mussolini dhe madje edhe diktatori sovjetik Joseph Stalin që ekzekutoi qindra mijëra njerëz nga popullsia e tij.

Fituesi i Çmimit Nobel për Paqen të vitit 2018 do të shpallet në muajin tetor.

Trumpi përshëndet hapjen e ambasadës në Jeruzalem

Presidenti Donald Trump tha se SHBA mbeten “plotësisht të angazhuara” për arritjen e një marrëveshjeje për paqe në Lindjen e Mesme, ndërsa hap ambasadën e saj në Jeruzalem, një akt që është shoqëruar me polemika.

Komentet vijnë ndërkohë që ministria e shëndetësisë në Gazë njoftoi se numri i palestinezëve të vdekur në përleshje me forcat izraelite ishte rritur në të paktën 40.

Në një videomesazh të transmetuar në ceremoninë e hapjes, Presidenti Trump tha se ambasada e re kishte kohë “që pritej të vinte.” Zhvendosja e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem ishte një nga premtimet kryesore të fushatës së zotit Trump, që u mirëprit nga Izraeli.

Por kjo i ka zemëruar palestinezët, të cilët e konsiderojnë Jeruzalemin lindor si kryeqytetin e tyre dhe kanë thënë se ky hap i skualifikon SHBA si ndërmjetës të paqes në Lindjen e Mesme.

Presidenti Trump tha se ” shpresa më e madhe ” është për paqen. Ai tha se Shtetet e Bashkuara “mbeten plotësisht të përkushtuara për të lehtësuar arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme për paqe.”

Ndërkaq, është rritur numri i të vrarëve në Gazë, sipas autoriteteve palestineze. Kritikët fajësuan forcat izraelite për përdorimin e municioneve, ndërsa Izraeli tha se veprimet e tij ishin të domosdoshme për shkaqe sigurie, meqë protestuesit rrezikuan kufirin.

Forcat izraelite të sigurisë hodhën edhe gaz lotsjellës mbi protestuesit, por turmat dukeshin të palëkundura dhe vazhduan të mblidhen.

Protestuesit hodhën edhe objekte të ndryshme përtej kufirit dhe dogjën goma para hapjes së ambasadës më vonë gjatë ditës. Shumë biznese dhe shkolla në Gaza u mbyllën.

Përveç refuzimit të lëvizjes së ambasadës amerikane, palestinezët po protestojnë edhe për të përkujtuar përvjetorin që ata e quajnë “nakba” apo “katastrofa”, duke ju referuar qindra mijëra palestinezëve që u dëbuan apo ikën përgjatë luftimeve të vitit 1948 gjatë krijimit të Izraelit.

Ambasada e përkohshme do të funksionojë brenda ndërtesës së konsullatës ekzistuese amerikane në Jerusalem, derisa të gjendet një objekt më i madh.

“Shumë presidentë kishin nënshkruar një dokument për të mos e zhvendosur ambasadën për arsye të sigurisë kombëtare. Presidenti Trump po e lëviz ambasadën, sepse është një përparësi e sigurisë kombëtare që ambasada të jetë këtu në Jeruzalem. Ka edhe një arsye tjetër për lëvizjen e ambasadës. Siç e dinë disa prej jush, presidenti ka qenë një zhvillues pasurish të paluajtshme dhe ai e donte pasurinë e patundshme të ambasadës këtu në Jerusalem në anën e djathtë të qytetit”, tha Steven Mnuchin, sekretari amerikan i Thesarit.

Vendosja e ambasadës amerikane në Jeruzalem është miratuar me votim dypartiak në Kongresin amerikan që në vitin 1995. Deri tani, të gjithë presidentët e mëparshëm amerikanë patën nënshkruar çdo gjashtë muaj një shtyrje të zbatimit të këtij vendimi, për arsye sigurie.

Shtetet e Bashkuara hapin sot ambasadën në Jerusalem

Vendosja e shenjave rrugore drejt Ambasadës amerikane në Jerusalem

Shtetet e Bashkuara do të bartin më 14 maj edhe zyrtarisht ambasadën e tyre nga Tel Avivi në Jerusalem, duke nxitur pakënaqësi në mesin e palestinezëve dhe gëzim tek izraelitët.

Një delegacion i Shtëpisë së Bardhë dhe zyrtarë izraelitë do të mblidhen në ceremoninë e inaugurimit, derisa pritet që një numër i madh i palestinezëve të protestojë në kufirin e Gazës me Izraelin dhe shumë ambiente tjera.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar më herët se Shtetet e Bashkuara e njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Palestinezët kërkojnë që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre në të ardhmen.

Izraeli ka aneksuar pjesën lindore dhe ka deklaruar të gjithë qytetin si kryeqytet, ndonëse një vendim i tillë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Vendimi i Trumpit ka nxitur protesta të përgjakshme ndërkohë që 128 shtete e kanë dënuar hapin e tij në një votim në Asamblenë Gjenerale të Kombeve të Bashkuara.

Konsullata momentale do të shërbejë si lokacion i ambasadës pasi planet janë në realizim e sipër për krijimin e një ndërtese të përhershme në një pjesë tjetër të Jerusalemit.

Ngjarja e sotme përkon me festimet e Ditës së Jerusalemit, një festim vjetor që shënon “ribashkimin” e qytetit pas luftës gjashtëditore më 1967.

Përndryshe 14 maji shënon edhe 70-vjetorin e krijimit të Izraelit.

Pompeo: “garanci sigurie” për Phenianin në shkëmbim për çnuklearizimin

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha të dielën se nëse Koreja e Veriut bie dakord për çnuklearizim të plotë, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme “t’i ofrojnë garanci sigurie” qeverisë së Phenianit dhe të lejojnë firma private amerikane të investojnë për të modernizuar rrjetin e dobët dhe të vjetëruar elektrik të vendit.

“Ky është një pakt që prej 25 vjet mbahet pezull në pritje të zbatimit,” tha zoti Pompeo në një intervistë për rrjetin Fox News.

Shefi i diplomacisë amerikane tha se deri sa erdhi në Shtëpinë e Bardhë Presidenti Trump, “asnjë president nuk ka qenë në gjendje ta pozicionojë Amerikën në atë mënyrë sa që udhëheqja koreano-veriore ta mendonte këtë të realizueshme realisht, duke i hapur rrugën mundësisë që Amerika të mos jetë e kërcënuar nga regjimi koreano-verior. Ky është synimi”.

Pas dy takimeve që ka zhvilluar me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un në Phenian, zoti Pompeo tha se është i bindur se udhëheqësi Kim “ka të njëjtin objektiv me popullin amerikan” në këtë drejtim.

Zoti Pompeo tha se synimi i takimit mes udhëheqësve Trump dhe Kim më 12 qershor është të “përcaktojnë kornizën” në bazë të së cilës të negociohen dhe finalizohen termat e çnuklearizimit dhe garancive për sigurinë.

Banda e dhunshme MS 13 zgjeron veprimtarinë në SHBA

Kur paraqet argumenta për përforcimin e kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara, Presidenti Donald Trump përmend shpesh bandën e dhunshme hispanike, MS-13 mes anëtarëve të së cilës ka emigrantë të paligjshëm, përveç atyre të lindur dhe të rritur në Shtetet e Bashkuara. Rreth 40 shtete njoftojnë se veprimtaria e bandës është rritur, veçanërisht në komunitete të varfra hispanike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cristina Caicedo Smit njofton.

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions e quan bandën MS-13, një nga grupet më të rrezikshme kriminale, që ka kryer dhjetra vrasje mizore çdo vit. Mara Salvatrucha, siç njihet ndryshe banda me origjinë në Los Angeles dhe El Salvador, ka 30 mijë anëtarë në gjithë botën, me 10 mijë prej tyre në Shtetet e Bashkuara.

“Në dy vitet e fundit kemi parë 18 vrasje nga bandat dhe 10 prej tyre kanë lidhje me grupin MS-13. E përsëris, nuk është vetëm kjo bandë problem, por ajo është problemi më i madh, përsa u takon krimeve të dhunshme, si vrasjet”, thotë John McCarthy, prokuror në shtetin e Merilendit.

Zyra e Prokurorit të shtetit të Merilendit, thotë se masat e qeverisë salvadoriane ndaj bandave atje, i ka spostuar veprimtaritë kriminale të MS-13-ës në Shtetet e Bashkuara.

“Qeveria po ushtron presion ndaj bandave në El Salvador. Kjo bandë po përpiqet ta luftojë qeverinë në El Salvador, po përpiqet të gjejë fonde për ta luftuar qeverinëë dhe kështu po kërkon ndihmën e degëve të saj, në gjithë Shtetet e Bashkuara”.

MS-13 i financon operacionet e veta, përmes prostitucionit, trafkut të njerëzve dhe drogave, shantazheve dhe krimeve të tjera. Anëtarët e bandave terrorizojnë komunitete në Shtetet e Bashkuara dhe Amerikën Latine, siç thotë një imigrante nga El Salvadori, e cila kërkoi që ta mbante identitetin të fshehtë për arsye sigurie.

“Unë vendosa të vij në këtë vend për të krijuar një familje, fëmijë. Por kur arrita këtu, e kuptova që ishte e njëjta situatë, kur pashë që edhe këtu ka banda dhe droga”.

Ajo tregon se disa fëmijë shohin se si shiten drogat në lagjet e tyre, ndërsa të tjerë, shërbejnë si roje për të njoftuar nëse ka policë përqark. Ajo thotë gjithashtu se disa nga fqinjët e saj, i thonë se anëtarët e MS-13ës i detyrojnë që të japin para, që njihet si “qeraja” për bandën. Por veprimtari të tjera të bandës, janë edhe më të frikshme për të.

“Ata sillen shumë mirë me fëmijët, por arsyeja është se duan t’i bëjnë për vete. Ata dinë si të veprojnë, që t’i bëjnë të gjithë bashkëpunëtorë”.

Vëzhgimet e dëshmitares përputhen me atë që kanë parë edhe zyrtarët lokalë dhe aktivistët: MS-13 ka gjithnjë e më shumë si objektiv rekrutimi të rinjtë hispanikë. Të rinjtë janë të ekspozuar për disa arsye.

“… Së pari, kur erdhën në këtë vend, ata nuk i njihnin prindërit sepse ishin ndarë për një kohë të gjatë. Së dyti, në vendet e tyre, ata kishin të paktën ngrohtësinë e gjyshërve, xhaxhallarëve, dajave. Kur vijnë këtu, gjejnë shtëpi të tjera, vëllezër dhe motra që ata mendojnë se janë të preferuarit e prindërve. Dhe së treti, askush nuk kontrollon se çfarë bëjnë”, thotë Celia Rivas, Koordinatore për Shërbimet e Imigracionit në organizatën “Bamirësitë Katolike”.

“Mendoj se është shumë më lehtë të rekrutohen të miturit e pashoqëruar,” thotë Komandanti i Departamentit të Policisë, Distrikti Montgomery

Presidenti Donald Trump e ka bërë përparësi eliminimin e bandës MS-13 dhe dëbimin e anëtarëve të saj, duke përmendur si argumenta sigurinë kombëtare dhe imigracionin. Departamenti i Drejtësisë ka njoftuar se në 500 milionë dollarë nga buxheti i saj, janë akorduar për këto përpjekje.

“MS-13 rekruton përmes sistemin tonë difektoz të imigracionit, duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, kurdo që anëtarët e saj duan ta kalojnë atë”.

Banda MS-13 ka depërtuar thellë në Shtetet e Bashkuara. Sipas një analize të FBI-së në vitin 2008, grupi përbëhet kryesisht nga amerikanë të brezit të parë dhe salvadoras. Operacionet e kryera në vitet 2015 dhe 2016, arritën në përfundimin se shumica e të kapurve ishin qytetarë amerikanë.

Komentet e zyrtares për senatorin McCain shkaktojnë reagime

Një zyrtare e Shtëpisë së Bardhë i ka trajtuar me mospëfillje kritikat e senatorit John McCain ndaj kandidaturës së Presidentit Donald Trump për të drejtuar CIA-n, duke thënë se “janë të parëndësishme, pasi ai gjithsesi po vdes”.

Senatori republikan 81-vjeçar John McCain nga Arizona po lufton me sëmundjen e kancerit që i ka prekur trurin.

Sipas njoftimeve, Kelly Sadler, ndihmëse në zyrën e komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, i ka bërë komentin dje gjatë një takimi me stafin e kësaj zyre.

Dy persona të pranishëm në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura biseduan në kushte anonimiteti me agjencinë e lajmeve Associated Press duke thënë se ndiheshin “të tronditur” nga komenti, i cili u konfirmua edhe nga media të tjera.

Shtëpia e Bardhë nuk e mohoi komentin e bërë, por nëpërmjet një deklarate tha se: “e respektojmë shërbimin e senatorit McCain ndaj vendit dhe lutemi gjatë kësaj kohe të vështirë për të dhe familjen e tij”.

Pas publikimit të komenteve të Kelly Sadlerit të enjten në mbrëmje, bashkëshortja e senatorit McCain, Cindy, në një postim në Twitter shkruante “ju kujtoj se burri im ka një familje, 7 fëmijë dhe 5 nipër e mbesa”.

Senatori McCain, i cili është torturuar si i burgosur lufte në Vietnam, lëshoi një deklaratë të mërkurën duke i kërkuar Senatit të votonte kundër kandidaturës së zonjës Gina Haspel për postin e drejtores së CIA-s. Ai tha se besonte se zonja Haspel ishte patriote, por se “refuzimi nga ana e saj për të pranuar imoralitetin e torturës e skualifikonte atë”.

Trump: Takimi me Kim Jong Un më 12 qershor

Presidenti i SHBA, Donald Trump njoftoi se takimi me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un do të mbahet më 12 qershor në Singapor. Njoftimi vjen pasi zoti Trump priti personalisht tre amerikanë të liruar që u kthyen të enjten në mëngjes nga Koreja e Veriut. Ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara po i fillojnë marrëdhëniet me Phenianin nga një bazë e re. Michael Brown i Zërit të Amerikës, njofton:

Presidenti Donald Trump, nënpresidenti Mike Pence dhe gratë e tyre, ishin mes atyre që dolën për të përshëndetur tre amerikanët e liruar nga paraburgimi në Korenë e Veriut, të cilët arritën të enjten herët në bazën Andrews pranë Uashingtonit.

Të tre amerikanët e liruar dolën nga avioni me dy gishtat lart në shenjë fitoreje.

Pak çaste më vonë, presidenti Trump tha se lirimi i tyre në këtë kohë erdhi disi papritur.

“Ne e vlerësojmë shumë që ai i lejoi ata të ktheheshin përpara takimit. Kuptohet që ne do të kishim qenë në gjendje t’i merrnim këta tre njerëz të mrekullueshëm edhe gjatë takimit dhe t’i sillnim në shtëpi, por ai pati mirësinë t’i lironte përpara takimit. Sinqerisht nuk kishim menduar se kjo do të ndodhte, por ndodhi”.

Ndërkaq, Presidenti Trump njoftoi se takimi me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un do të mbahet më 12 qershor në Singapor.

Koreano-amerikanët u liruan pasi Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, shkoi në Korenë e Veriut për herë të dytë brenda një muaji për t’u takuar me udhëheqësin koreanoverior.

Tony Kim dhe Kim Hak Song jepnin mësim në Universitetin e Phenianit për Shkencën dhe Teknologjinë, kur u arrestuan në vitin 2017, të akuzuar për pjesëmarrje në aktivitetet anti-qeveritare.

I burgosuri i tretë, Kim Dong Chul u arrestua në tetor 2015 dhe u dënua me 10 vjet burg me punë të rëndë pasi u shpall fajtor për spiunazh.

“Na trajtonin në mënyra të ndryshme. Unë bëja shumë punë të rënda, por kur u sëmura ata më kuruan”.

Ish-të burgosurit u dërguan menjëherë në një institucion mjekësor ushtarak për t’u takuar me familjen para se t’u bëhej ekzaminimi i gjendjes fizike.

Para largimit nga baza ajrore, Presidenti Trump vlerësoi përpjekjet e sekretarit të shtetit Mike Pompeo.

Zoti Trump thotë se qëllimi është që Koreja e Veriut të bjerë dakord për çnuklearizimin.

Megjithatë, ekspertët thonë se të dyja palët janë shumë larg në qëndrimet e tyre.

“Kemi një rrugë të gjatë në përpjekjen për ta kthyer këtë hap diplomatik me Veriun në diçka afatgjatë. Kjo mund të jetë një paqe e qëndrueshme dhe mund të çojë në çarmatimin bërthamor,” thotë eksperti Patrick Cronin.

Ekspertët paralajmërojnë se puna e vështirë e negociatave diplomatike sapo ka filluar.

Presidenti Trump mirëpriti tre amerikanët e liruar nga Koreja e Veriut

Presidenti amerikan Donald Trump dhe nënpresidenti Mike Pence, ishin në mesin e të tubuarve për të pritur tre amerikanët e liruar nga burgjet në Korenë e Veriut, të cilët arritën në bazën ajrore Andrews afër Washingtonit.

Presidenti Trump tha se kthimi i amerikanëve të burgosur “paraqet një zhvillim shumë të rëndësishëm për vendin, njerëzit nuk kanë menduar kurrë se diçka e tillë mund të ndodhë”.

Ai e falënderoi udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, për lirimin e tre amerikanëve duke theksuar se beson që Kim dëshiron një marrëveshje për çarmatimin bërthamor të gadishullit korean.

Avioni me të cilin po udhëtonin Tony Kim, Kim Hak Song dhe Kim Dong Chul, zbriti pak para orës 3 sipas kohës lokale (ora 9 sipas kohës së Evropës qendrore) dhe u ndal para një flamuri gjigant amerikan që mbahej mbi shkallët e dy kamionëve të zjarrfikësve. Presidenti Trump dhe bashkëshortja e tij Melania, hipën në avion për të takuar grupin.

Ata u larguan nga Koreja e Veriut në avion me sekretarin e shtetit, Mike Pompeo, për t’u transferuar më pas në një avion tjetër gjatë një ndalese ne Japoni.

Dy prej tre koreano-amerikanëve Tony Kim dhe Kim Hak Song po jepnin mësim në universitetin për Shkencën dhe Teknologjinë në Phenian kur u arrestuan. Ata u ndanë veçmas në vitin 2017 dhe u akuzuan për pjesëmarrje në aktivitetet anti-shtetërore si dhe përpjekje për përmbysje të qeverisë.

I burgosuri i tretë, Kim Dong Chul, u arrestua në një zone në verilindje të Koresë së Veriut në tetor të vitit 2015. Ai u dënua me 10 vjet punë të rëndë në burg në vitin 2016 i akuzuar për spiunazh.

Të tre ata shprehën “mirënjohjen e thellë për qeverinë amerikane, presidentin Trump, sekretarin Pompeo dhe popullin e Shteteve të Bashkuara” për kthimin e tyre.

Derisa ishte në Korenë e Veriut, sekretari Pompeo u takua me udhëheqësin Kim Jong Un për 90 minuta, takimi i dytë i tyre në më pak se një muaj, derisa presidenti Trump dhe Kim po përgatiten për takimin ndërmjet tyre.

Presidenti Trump tha të enjten herët në mëngjes se brenda tri ditësh do të shpaloset koha dhe vendi i takimit, por ai nuk do të mbahet në zonë e çmilitarizuar ndërmjet dy Koreve, siç ishte paralajmëruar më herët.

Gina Haspel dëshmon në Senat

Gina Haspel, operative e Agjencisë Qendrore të Zbulimit dhe aktualisht zëvendësdrejtore e agjencisë premtoi sot përpara ligjvënësve se nuk do ta ripërtërinte një program për marrjen në pyetje me metoda të ashpra të personave të ndaluar. Kjo çështje është kthyer në një pengesë të mundshme për konfirmimin e saj në postin e drejtueses së CIA-s.

Zonja Haspel po dëshmon para Komisionit të Senatit për Zbulimin në një seancë konfirmimi, e cila po përqëndrohet te roli i saj në zbatimin dhe ndoshta përpjekjen për ta mbajtur të fshehtë një program të agjencisë që përdorte metoda të ashpra për të marrë në pyetje personat e ndaluar.

“Mund t’ju ofroj angazhimin tim personal, qartë dhe pa rezerva, se nën udhëheqjen time, CIA nuk do të ripërtërijë një program të tillë të ndalimit dhe marrjes në pyetje,” tha zonja Haspel.

Në vitin 2002, zonja Haspel mbikqyri për një kohë të shkurtër një burg të fshehtë të CIA-s në Tajlandë, ku të paraburgosurit i nënshtroheshin teknikës së simulimit me mbytje dhe teknikave të tjera të ashpra të marrjes në pyetje, të cilat shpesh janë denoncuar si tortura.

Ajo akuzohet gjithashtu për hartimin e një dokumenti që kërkonte asgjësimin e 92 videokasetave të seancave ku ishin përdor metoda të tilla.

Videokasetat u asgjësuan në vitin 2005, duke çuar në një hetim të Departamentit të Drejtësisë, i cili përfundoi pa akuza.

CIA në mënyrë të përsëritur u është përgjigjur këtyre akuzave, duke pohuar se veprimet e zonjës Haspel ishin të ligjshme dhe duke mbrojtur rolin e saj në pozicionin që kishte në atë kohë jashtë vendit si dhe rolin në asgjësimin e videokasetave.

Agjencia madje deklasifikoi dhe publikoi një dokument të vitit 2011 të hartuar nga ish-zëvendësdrejtori i CIA-s Michael Morell, ku zonja Haspel lirohej nga përgjegjësia për ndonjë shkelje lidhur me çështjen e videokasetave.

Rreth dy muaj më parë, CIA nisi një fushatë thuajse të paparë në marrëdhëniet me publikun për ta ngritur zonjën Haspel në postin e kreut të agjencisë dhe ditët në vijim do të tregojnë nëse ky plan ka funksionuar ose jo.

Fillimisht, zonja Haspel kërkoi ta tërheqë emërimin e saj për këtë post, por më pas zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë biseduan me të për orë të tëra, duke e bindur që ajo të qëndronte.

Presidenti Trump njofton lirimin nga Pheniani të tre amerikanëve të burgosur

Presidenti Donald Trump njoftoi se tre amerikanët e burgosur në Korenë e Veriut janë liruar dhe po kthehen në Shtetet e Bashkuara, shoqëruar nga sekretari i Shtetit Mike Pompeo.

Në një postim në Twitter zoti Trump shkruante se “të tre gëzojnë shëndet të mirë”. Ai tha gjithashtu se ka në plan t’i presë ata kur të mbërrijnë në atdhe.

Lajmi për lirimin e tyre pason një vizitë në Korenë e Veriut të sekretarit të Shtetit Mike Pompeo, i cili ndodhej atje për të përgatitur takimin e ardhshëm mes Presidentit Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un.

Dy prej tre koreano-amerikanëve Tony Kim dhe Kim Hak Song po jepnin mësim në universitetin për Shkencën dhe Teknologjinë në Phenian kur u arrestuan. Ata u ndanë veçmas në vitin 2017 dhe u akuzuan për pjesëmarrje në aktivitetet anti-shtetërore si dhe përpjekje për përmbysje të qeverisë.

I burgosuri i tretë, Kim Dong Chul, u arrestua në një zone në verilindje të Koresë së Veriut në tetor të vitit 2015. Ai u dënua me 10 vjet punë të rëndë në burg në vitin 2016 i akuzuar për spiunazh.

Vizita më e fundit e zotit Pompeo në Korenë e Veriut vjen disa javë pas një tjetër takimi që ai zhvilloi në muajin prill me udhëheqësin e Phenianit Kim Jong Un, kur mbante ende detyrën e drejtorit të CIA-s.

FBI “mori në pyetje” manjatë rusë për pagesat që i bënë avokatit të Trumpit

Avokati Michael Cohen

Një miliarder rus, me lidhje me Kremlinin, është marrë në pyetje nga agjentët e FBI-së në lidhje me qindra-mijëra dollarë që dega e kompanisë së tij në SHBA dyshohet se i ka dhënë avokatit personal të presidentit amerikan, Donald Trump, raportojnë mediat.

CNN, duke cituar një burim që “ka dijeni për çështjen”, tha se kryetari i kompanisë Renova Group, Viktor Vekselberg, është marrë në pyetje së bashku me kushëririn e tij, Andrew Intrater, i cili udhëheq degën amerikane të firmës, Columbus Nova, nga agjentë që po hetojnë ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, në vitin 2016.

New York Times më herët raportoi se Vekselberg është marrë në pyetje nga agjentë që punojnë me këshilltarin e posaçëm, Robert Mueller, i cili po heton nëse Rusia është përzier në zgjedhje dhe nëse ka pasur bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së Trumpit dhe zyrtarëve rusë.

Sipas njoftimeve të mediave, biznesmenët rusë dyshohet se kanë transferuar rreth 500 mijë dollarë te kompania e avokatit të Trumpit, Michael Cohen, pas zgjedhjeve të vitit 2016.

Avokati i Cohenit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Trumpi njofton tërheqjen nga marrëveshja me Iranin

Presidenti Donald Trump njoftoi të martën se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore me Iranin, duke deklaruar se ai po e bën botën më të sigurt.

“Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë kërcënime të zbrazëta,” tha ai në një fjalim televiziv nga Dhoma Diplomatike e Shtëpisë së Bardhë.

Vendimi përbën një goditje ndaj aleatëve të SHBA dhe mund të thellojë izolimin e presidentit Trump në skenën botërore.

Zoti Trump tha se marrëveshja e vitit 2015, e cila përfshin Gjermaninë, Francën dhe Britaninë, ishte një marrëveshje “tmerrësisht e keqe dhe e njëanshme, që nuk duhet të ishte bërë kurrë.” Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vendosin nivelin më të lartë të sanksioneve ekonomike.”

Vendimi i Presidentit Trump nënkupton se qeveria e Iranit duhet të vendosë nëse do tërhiqet ashtu si SHBA, apo do të përpiqet të shpëtojë atë që ka mbetur nga marrëveshja.

Irani ka ofruar deklarata kundërthënëse në lidhje me vendimin që mund të marrë dhe përgjigjja mund të varet nga mënyra se si saktësisht Presidenti Trump tërhiqet nga marrëveshja.

Një zyrtar i informuar rreth vendimit, tha se Presidenti Trump do të rivendoste të gjitha sanksionet ndaj Iranit, të cilat ishin hequr nga marrëveshja e vitit 2015 dhe jo vetëm ato që duhet të skadonin së shpejti.

Mbështetësit e idesë për ta ndrequr marrëveshjen, shpresonin se zoti Trump do të zgjidhte një qasje që mund të linte më shumë hapësirë për ta ndryshuar qëndrimin më vonë, nëse do të siguronte kufizime shtesë nga ana e vendeve evropiane që po përpiqeshin pa sukses për të negociuar me të.

Megjithatë, administrata ka planifikuar të lejojë një periudhë prej së paku tre muajsh dhe ndoshta deri në gjashtë muaj, në mënyrë që bizneset dhe qeveritë të mund të mbyllin operacionet që shkelin sanksionet e rivendosura nga SHBA.

Ndërsa zyrtarët e administratës i njoftuan të martën udhëheqësit e Kongresit rreth planeve të Presidentit Trump, ata theksuan se ashtu si me marrëveshjen e rëndësishme tregtare për Azinë dhe me paktin e Parisit për klimën nga të cilat Presidenti Trump hoqi dorë, ai mbetet i hapur për rinegociimin e një marrëveshjeje më të mirë për Iranin.

Marrëveshja me Iranin, e arritur në vitin 2015 nga Shtetet e Bashkuara, fuqitë e tjera botërore dhe Irani, hiqte shumicën e sanksioneve amerikane dhe ndërkombëtare kundër Teheranit. Si këmbim, Irani binte dakord për kufizime në programin e tij bërthamor që e bënin të pamundur prodhimin e një bombe, së bashku me inspektime të rrepta ndërkombëtare.

Me disa lëvizje diplomatike së minutës së fundit, që arritën pikën kulmore me vizitën e kryediplomatit britanik në Uashington, anëtarët evropianë të marrëveshjes u hapën rrugë shumicës së kërkesave të Presidentit Trump, sipas zyrtarëve, diplomatëve dhe zyrtarëve të tjerë të informuar mbi negociatat. Megjithatë, ata u larguan me bindjen sanksionet do të rivendoseshin.

Presidenti Trump foli të martën rreth vendimit të tij me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe me udhëheqësin kinez Xi Jinping. Sekretari i jashtëm britanik erdhi në Uashington këtë javë për të bërë një përpjekje të minutës së fundit që SHBA të mbeteshin në marrëveshje, sipas një diplomati të lartë britanik. Diplomati, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Britania do të vazhdojë përpjekjet që marrëveshja të mbetet në fuqi.

Disa orë përpara njoftimit, vendet evropiane u takuan për të nënvizuar mbështetjen e tyre ndaj marrëveshjes. Zyrtarë të lartë nga Britania, Franca dhe Gjermania u takuan në Bruksel me Zëvendësministrin e Jashtëm të Iranit për Çështjet Politike, Abbas Araghchi.

Nëse marrëveshja bie, Irani do të jetë i lirë të rifillojë veprimtaritë e ndaluara për pasurimin e uraniumit, ndërsa bizneset dhe bankat që punojnë me Iranin do të duhet të tërhiqen, përndryshe bien ndesh me ligjin amerikan. Zyrtarët amerikanë ndërkaq po përpunojnë planet për mënyrën se si do t’ia paraqesin publikut tërheqjen nga marrëveshja dhe të shpjegojnë pasojat komplekse financiare të këtij vendimi.

Në Iran, shumë njerëz kanë shprehur shqetësim të thellë sesi vendimi i Presidentit Trump mund të ndikonte në ekonominë tashmë në gjendje të vështirë. Në Teheran, presidenti Hassan Rouhani u përpoq të qetësonte publikun, duke buzëqeshur ndërsa vizitonte një ekspozitë nafte. Ai nuk e përmendi drejtpërdrejt me emër Presidentin Trump, por theksoi se Irani vazhdon të kërkojë “angazhim me botën”.

“Ka mundësi që të përballemi me disa probleme për dy apo tre muaj, por do ta kalojmë,” tha zoti Rouhani.

Sipas skenarit më të mundshëm, Presidenti Trump do të lejojë rivendosjen e sanksioneve ndaj bankës qendrore të Iranit, për të goditur eksportet e naftës, thanë burime të mirinformuara. Pastaj, administrata mund t’u japë atyre kompanive që bëjnë biznes me Iranin një periudhë gjashtë mujore për t’u tërhequr dhe për të shmangur shkeljen e sanksioneve.

Prindërit dhe fëmijët e hyrë ilegalisht në SHBA do të ndahen dhe ndiqen penalisht

“Nëse trafikoni fëmijë, ne do t’ju ndjekim penalisht dhe ai fëmijë do të ndahet nga ju, siç parasheh ligji”

UASHINGTON – Prindërit dhe fëmijët të cilët ilegalisht hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) do të ndahen për t’u paraburgosur dhe ndjekur penalisht nga Departamenti i Drejtësisë, deklaroi prokurori shtetëror Jeff Sessions.

“Kam vendosur zero tolerancë në politikën e hyrjeve ilegale përmes kufirit jugperëndimor. Nëse kaloni këtë kufi jashtëligjshëm, atëherë do t’ju ndjekim penalisht. Kjo është e thjeshtë”, tha Sessions në fjalimin gjatë konferencës për zbatimin e ligjit në Kaliforni duke shtuar se: ”Nëse trafikoni fëmijë, ne do t’ju ndjekim penalisht dhe ai fëmijë do të ndahet nga ju, siç parasheh ligji”.

Në fjalimet e mëhershme të grupeve për zbatimin e ligjit në Arizona, Sessions tha se pasi të dërgohen në Departamentin për siguri të brendshme (DHS), prokurorët federal do të ndërmarrin “aq raste sa të jetë e mundur derisa nuk arrihet përqindja 100 për qind”.

Ai tha se me qëllim të zbatimit të këtyre politikave ka dërguar 35 prokurorë në jugperëndim të SHBA-ve dhe ka zhvendosur 19 gjykatës emigrues në kufi.

Agjencia amerikane për kontroll të emigracionit dhe kufirit kanë paraqitur rritjen e kalimit ilegal të kufirit gjatë viteve të fundit dhe sipas asaj që ka njoftuar DHS muajin e kaluar mbi 50.000 persona kanë tentuar ilegalisht të kalojnë kufirin, dy muaj me radhë.

Sipas DHS-së, në muajin prill të këtij viti numri i kalimeve ilegale të kufirit ka qenë tre herë më i madh se muajin e njëjtë të vitit 2017.

Sessions tha se nuk ka dyshim se shumica e tyre që këmbëngulin ilegalisht të kalojnë kufirin arratisen për shkak të kushteve të këqija, mirëpo ai shtoi se “ne nuk mund të pranojmë secilin në planet që është në situatë të vështirë.” aa

Trumpi vendos sot për marrëveshjen bërthamore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump pritet që sot të njoftojë për vendimin e tij lidhur me marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Trump, që ka qenë kritikues i marrëveshjës së arritur në mes të Iranit dhe fuqive botërore, ka kërcënuar se Uashingtoni mund të tërhiqet nga ky pakt, nëse nuk përmirësohen ato që ai i cilëson si “të meta” të këtij pakti.

Presidenti amerikan u ka bërë thirrje fuqive evropiane, nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, që të arrijnë një marrëveshje shtesë për këtë çështje.

Ndërkaq, Franca, Gjermania dhe Britania – nënshkruese të paktit bërthamor – i kanë bërë thirrje presidentit Trump që të qëndrojë në këtë marrëveshje, duke argumentuar se një gjë e tillë do të ishte mënyra më e mirë për të frenuar aktivitetet bërthamore të Teheranit.

Teherani përmes kësaj marrëveshjeje përfiton lehtësim të sanksioneve në këmbim të frenimit të programit bërthamor.

 Presidenti iranian, Hassan Rohani, ka thënë se SHBA “do të pendohet” nëse tërhiqet nga marrëveshja.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, më herët ka kërcënuar se shteti i tij mund të rinisë programin bërthamor, nëse SHBA vendos të tërhiqet nga pakti i vitit 2015.

Agjencia Reuters ka parashikuar disa skenare të mundshme lidhur me vendimin që Trump pritet të bëjë publik në orën 14, sipas kohës lokale të Uashingtonit.

Skenari i parë ka të bëjë me vendimin e Trumpit që të heq dorë nga rivendosja e sanksioneve, duke ua lënë në dorë fuqive evropiane që të arrijnë një marrëveshje shtesë.

Skenari i dytë, Trump nuk do të hiqte dorë nga sanksionet dhe do të ishte në dorën e Iranit nëse do të vendoste të respektonte këtë marrëveshje.

Sipas një skenari tjetër, Trump do të mund të mos vendoste sanksione por të linte të hapur mundësinë që ta rikonsiderojë këtë opsion.

Ndërkaq, skenari i fundit është ai për vendosjen e sanksioneve dhe presidenti Trump do të mund të argumentonte këtë qëndrim të tij me pretendimet që i ka bërë edhe më herët, se Irani po shkel marrëveshjen.

Javën e kaluar, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu prezantoi të dhëna, të cilat sipas tij, dëshmojnë se Irani ka një program sekret bërthamor dhe po kërkon që të krijojë armë bërthamore.

Pretendime të tilla u kundërshtuan nga Teherani, por u mirëpritën nga Uashingtoni.

Kombet e Bashkuara dhe fuqitë botërore i kanë bërë thirrje Trumpit që të vazhdojë të qëndrojë në marrëveshje.

Thirrje të tilla, gjatë vizitave në Uashington bëri edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe së fundmi edhe Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson.

Nënshkrues të marrëveshjes bërthamore me Iranin janë Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca, Gjermania dhe Britania.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Një jetë e trajtuar si mbeturinë pa vlerë

Një fotografi e Mouctar Diallos.

Trupi i një të riu ishte në mes të shëtitores Jerome Avenue nën shinat e trenit. Vendi i ngjarjes ishte ndriçuar nga shenja fluoreshente blu me emrin e restorantit “El Caribe”, tashmë i mbyllur. Një kamion plehrash, kishte ngelur i kthyer përgjysëm në kryqëzimin e zbrazët të lagjes Bronx.

Sipas dokumentave, personeli i urgjencës mbërriti dhe e shpalli të riun të vdekur në orën 5:08 të mëngjesit, më 7 nëntor 2017.

Edhe policia erdhi. Oficerët e bllokuan vendin me shirit dhe intervistuan shoferin e kamionit dhe ndihmësin e tij, sipas dokmunentave dhe intervistave. Shoferi dhe ndihmësi, sipas raportit të policisë, thanë se i vdekuri ishte një i huaj që ishte hedhur papritur mbi kamion, nga ana e pasagjerit, nuk ishte mbajtur dot dhe u shtyp nga kamioni. Raporti fillestar i policisë, e la të zbrazët vendin ku duhej të ishte emri i tij.

Brenda disa orësh, një gazetar i News12 në Bronx tha se fiqnjët mendonin se viktima ishte “një i pastrehë që ata e kishin parë përreth asaj zone”. Pasdite ai po përshkruhej nga Daily News si “një i pastrehë i krisur”.

Kamioni i plehrave ishte i kompanisë “Sanitation Salvage”, mes më të mëdhave të këtij lloji në qytet. Një menaxher i kompanisë shkoi të merrte kamionin dhe ta çonte në parkimin e kompanisë. Pastaj, sipas punëtorëve të cilëve iu treguan ngjarjet e asaj nate, kamioni u nxorr përsëri në rrugë, pa u prekur me dorë për t’u pastruar.

Tre kilometra larg aksidentit, në një apartament në Bronx, pranë bulevardit Grand Concourse, një nënë priste t’i kthehej i biri. Hadiatou Barry, një emigrante nga Guinea, kishte emigruar në Bronx për një jetë më të mirë. Djali i saj i madh, Mouctar Diallo, 21 vjeç, flinte në dhomën e ndenjies të apartamentit. Ai shpesh punonte natën dhe në agim duhej të ishte në shtëpi duke fjetur. Por shtrati i tij mbeti i zbrazët.

Shumë shpejt, Hadiatou Barry mori lajmin më të keq të mundshëm, një goditje të dyfishtë: dëshpërim dhe poshtërim.

Puna e Mouctar Diallos ishte si ndihmës për kamionët e plehrave të kompanisë “Sanitation Salvage” dhe kamioni me të cilin po punonte atë natë, e kishte vrarë. Pastaj, nëna e tij mori vesh, shoferi dhe ndihmësi kryesor, që e kishin njohur atë për më shumë se një vit dhe e paguanin me para në dorë për punën e tij, kishin mohuar ta njihnin atë. Gjithë qyteti e njihte djalin e saj tani si të pastrehë.

“Ai është biri im dhe unë dua që e vërteta për të dalë në dritë, që të mos i ndodhë dikujt tjetër”, tha Hadiatou Barry në një intervistë.

E vërteta e Mouctar Diallos është se autoritetet që hetuan aksidentin nuk e morën vesh që ai ishte punëtor i kamionit për të paktën dy muaj dhe kur e morën vesh, nuk morën asnjë masë ndaj shoferit dhe ndihmësit të tij që e kishin gënjyer policinë. Komisioni i Integritetit të Biznesit, agjencia përgjegjëse për mbikqyrjen e industrisë së mbledhjes së plehrave, lejoi si shoferin, ashtu edhe ndihmësin kryesor të tij që të vazhdonin të punonin. Policia dhe prokurorët e Bronxit e mbyllën hetimin pa ngritur akuza kriminale.

Të premten e kaluar, Sean Spence, shoferi që shtypi Diallon dhe gënjeu për të, vrau një person tjetër 72 vjeçarin Leo Clarke. Policia ka hapur hetim dhe Spence është pezulluar.

Departamenti i Policisë së Nju Jorkut tha se nuk ishte krim t’i gënjeje policisë dhe këmbëngul se bëri një hetim të hollësishëm. Një zëdhënës i polcisë tha se policia nuk kishte autoritet të hetonte operacionet e një kompanie private të plehrave.

Një zëdhënëse e Prokurorisë së Dikstriktit të Bronxit tha se Komisioni i Integritetit të Biznesit nuk kishin paraqitur referim për akuza kriminale tek prokurorët, kështuqë ata nuk kishin arsye të hetonin më tej.

Zëdhënësi i Komisionit tha se ishte njoftuar në janar se kishte mundësi që vdekja implikonbte një nga punonjësit. Fakti që Diallo ishte i vdekuri, ishte një sekret i hapur mes punëtorëve. Zyrtarët e komisionit thanë se më pas ata sfiduan shoferin Spence dhe ndihmësin e tij kryesor, Chris Bourke dhe se të dy ata pranuan se e kishin sajuar historinë e një të panjohuri që ishte përplasur me kamionin.

Komisioni tha se nuk kishte autoritetin ta pezullonte shoferin dhe se Spence ishte pezulluar pas vdekjes së dytë sepse komisioni ia kishte kërkuar një gjë të tillë kompanisë dhe “Sanitation Salvage”, ra dakord.

I pyetur se pse komisioni nuk e bëri një kërkesë të tillë menjëherë pasi zbuloi se shoferi që kishte kryer një aksident vdekjeprurës, e kishte gënjyer policinë, një zëdhënës refuzoi të përgjigjej.

Disa përpjeje për të kontaktuar shoferin Spence, nuk dhanë rezultat.

“Sanitation Salvage” nuk iu përgjigj kërkesave të shumta për komente.

Në një intervistë, Bourke, ndihmësi kryesor në kamionin që vrau Diallon, pretendoi se nuk e dinte nga kishte dalë historia e “të pastrehit të krisur”.

Edhe sot e kësaj dite, Hadiatou Barry dhe ish kolegë të Mouctarin në “Sanitation Salvage”, thonë se nuka janë të sigurt se dinë të vërtetën për mënyrën se si vdiq ai.

Që nga viti 2010, ka pasur 33 vdekje që i janë atribuar kamionëve të plehrave në gjithë qytetin.

Kamionët e “Sanitation Salvage”, nuk kanë kaluar inspektimet e sigurisë katër herë më shpesh sesa mesatarja kombëtare. Një hetim i Departamentit të Punës, arriti në përfundimin se kompania nuk kishte paguar qindra-mijëra dollarë në rroga dhe se punonjësit punonin 18 orë në ditë. Shoferët janë aq të lodhur saqë punësojnë ndihmës shtesë, shpesh të rinj nga rruga, për të përfunduar punën e tyre në kohë.

Mouctar Diallo ishte një prej tyre që në “Sanitation Salvage”, njihen si “personi i tretë”. Nuk dihet se kur Diallo kishte ardhur në Bronx, por ai filloi të punonte për kompaninë në fund të pranverës 2016, sipas intervistave me punëtorët e tjerë. Ai kishte punuar me Sean Spence dhe Chris Bourke për mbi një vit.

Zakonisht “personi i tretë” paguhej jashtë sistemit, nga kompania ose vetë shoferët dhe ndihmësit e tyre. Pagesat joformale, janë tregues sesa e gjatë ishte rruga që duhej të bënin punonjësit. Një turn në një kompani tjetër ka pak a shumë 200 ndalesa. “Sanitation Salvage” ka afro 1 mijë ndalesa, në mos më shumë.

“Personi i tretë” fiton nga 30 deri në 80 dollarë nata, për turne 18-20 orëshe.

Pas një hetimi në vitin 2015, Departmenti i Punës arriti në përfundimin se “Sanitation Salvage”, i detyrohej punëtorëve 385 mijë dollarë për orë jashtë orarit për tre vitet e mëparshme. Kur Departamenti vemdosi që të mos ta çojë kompaninë në gjykatë, çështja u mbyll.

Bourke, ndihmësi që e rekrutoi fillimisht Diallon tha se me aq orë të gjata dhe punë intensive “aksidentet do të ndodhin”.

“Është nçnjerësore të punosh kështu. Të bëjnë të punosh si skllav”, tha ai.

Zëri i Amerikës dhe ProPublica u dërguan “Sanitation Salvage” dhe juristëve të saj një numër pyetjesh të detajuara para disa javësh: Për vdekjen e Diallos, dëshminë e rreme të shoferit dhe ndihmësit të tij, kushtet e punës dhe problemet me Departamentin e Punës. Kompania nuk u përgjigj.

Këtë javë, Komisioni për Integritetin e Biznesit tha se vdekja e dytë dhe informacionet për kushte të rrezikshme pune, ishin bërë shkas për hapjen e një hetimi që mund të sjellë si rezultat, mbyljen e operacioneve të kompanisë ose vendosjen e një autoriteti mbikqyrës.

Megjithayë, një koalicion organizatash për kushtet e punës, rrugë të sigurta dhe të komunitetit të Bronxit, po bëjnë thirrje për pezullimin e menjëhershëm të liçencës së “Sanitation Salvage”.

“Ne i marrim këto akuza shumë seriozisht. Nëse rezultatet e hetimit janë të tilla që kërkojnë këto masa ose të tjera,a to do të merren menjëherë”.

Georges Leonard Sagno shërbimit Frëngjisht për Afrikën në Zërin e Amerikës, kontribuoi në këtë raportim.

Jep dorëheqjen Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut Eric Schneiderman i akuzuar nga katër gra për dhunë fizike

Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut Eric Schneiderman dha dorëheqjen të hënën në mbrëmje, pas një artikulli të botuar në revistën “New Yorker”, ku katër gra e akuzojnë atë për dhunë fizike.

Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm Schneiderman të jepte dorëheqjen, brenda disa orësh pas botimit të artikullit.

“Gjatë orëve të fundit, akuza të rënda, që unë i kundërshtoj me forcë, janë ngritur ndaj meje”, shprehet prokurori Schneiderman në një deklaratë. “Ndërsa akuzat nuk janë të lidhura me sjelljen time profesionale, ose me veprimet e zyrës, ato nuk do të më lejojnë të kryej funksionet e mia në këto kohë kritike. Për këtë arësye jap dorëheqjen, që hyn në fuqi më 8 maj, në përfundim të orarit zyrtar”, shprehet prokurori i përgjithsëm i Nju Jorkut në një deklaratë.


Send this to a friend