Ndërsa zhvillon fushatë për kandidatët e partisë së tij, republikane, Presidenti Donald Trump duket qartë se synon ta bëjë emigracionin çështje madhore në zgjedhjet e mesit të mandatit për në Kongres. Por kjo strategji përfshin një farë rreziku politik, pas kritikave të ashpra që iu bënë administratës lidhur me ndarjen e fëmijëve nga prindërit që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme. Javën e kaluar Presidenti u tërhoq vetë nga kjo politikë.
Gjatë një mitingu në Karolinën e Veriut, Presidenti Trump i paralajmëroi demokratët e opozitës për çështjen e emigracionit:
“Demokratët kërkojnë hapjen e kufijve dhe nuk duan t’ja dinë për krimet. Ne duam të kemi kufij të sigurtë. Këtë vit patëm numrin më të ulët në 70 vjet të imigrantëve të paligjshëm që hyjnë në vend. Me gjithë ankesat, jemi duke bërë punë shumë të mirë.”
Javën e kaluar, zoti Trump u tërhoq nga politika e ndarjes së fëmijëve të imigrantëve nga prindërit e tyre, pas protestave që morën më pas ngjyra partiake.
Por synimi i administratës është të ketë siguri në kufi, thotë Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions:
“Ne vazhdojmë t’i ndjekim ligjërisht të rriturit që hyjnë ilegalisht në vend. Do të bëjmë gjithçka për të shmangur ndarjen e familjeve.”
Qëndrimi i zotit Trump vazhdon të shoqërohet me protesta, si njëra, gjatë së cilës demonstruesit u përpoqën të bllokojnë një autobus plot me imigrantë në një qendër në Teksas.
“Njerëzit duhet të bëjnë rezistencë ndaj kësaj sjelljeje. Nuk mund ta pranojmë këtë lloj racizmi si diçka normale. Kjo nuk është normale sot në Amerikë.”- thotë Gabriel Rosales, i Ligës së Qytetarëve latino-amerikanë.
Disa shtete kanë hapur procese gjyqësore për ta detyruar administratën Trump të ribashkojë familjet e imigrantëve, si për shembull Nju Yorku, nën drejtimin e guverntorit Andrew Cuomo.
“Kjo çështje nuk ka të bëjë me Demokratët dhe Republikanët. As me liberalët dhe konservatorët. Kjo është çështje bazë, që lidhet me mënyrën se si i trajtojmë fëmijët. Është çështje humanitare, çështje vlerash njerëzore.”- tha zoti Cuomo.
Fokusi i zotit Trump tek imigracioni dhe siguria kufitare synon kryesisht të forcojë mbështetjen e përkrahësve të tij në zgjedhjet e mesit të mandatit, thotë analisti Larry Sabato:
“Ata nuk janë aspak të interesuar tek pikëpamjet e demokratëve, apo të të pavarurve, apo prirjeve të tjera të elektoratit amerikan. Ata shqetësohen vetëm për bazën e tyre, që është shumë kundër imigracionit.”
Anketat e kohëve të fundit tregojnë se Trump vazhdon të ketë popullaritet mes votuesve republikanë. Por fokusi i tij i tepërt tek baza e partisë, po kufizon aftësinë e tij për ta zgjeruar mbështetjen, thotë Frank Newport, i firmës anketuese Gallup.
“Demokratët janë të vendosur për të mos e mbështetur zotin Trump. E kundërta ndodh me republikanët, ata e mbështesin. Pra, nëse këto dy grupe janë të vendosura në qëndrimet e tyre, është e vështirë që mbështetja për një president si Trumpi të shtohet shumë.”
Zoti Trump u ka bërë thirrje përkrahësve të tij ta sfidojnë historinë, duke e ditur fare mirë, se presidentët e mëparshëm zakonisht, gjatë mandatit të tyre të parë, kanë pësuar humbje në zgjedhjet e mesit të mandatit.