VOAL

VOAL

Prindërit e Melania Trumpit marrin shtetësinë amerikane

Viktor dhe Amalija Knavs, prindërit e Zonjës së Parë Melania Trump bënë betimin si shtetas amerikanë. Avokati i tyre tha se çifti slloven e bëri betimin të enjten në qytetin e Nju Jorkut. Çifti Knavs e rritën Melaninë në qytetin Sevnica, kur Sllovenia ishte nën sundimin komunist.

Viktor ishte tregtar makinash, ndërsa Amalija punonte në një fabrikë tekstili. Viktor është 74 vjeç, dy vjet më i madh se Presidenti Donald Trump. Amalija është 73 vjeç. Zonja e Parë ndryshoi emrin në Melania Knauss kur filloi punën si modele. Ajo u vendos në Nju Jork më 1996 dhe u njoh me zotin Trump dy vjet më vonë.

SHBA, kongresmeni i arrestuar nuk i pranon akuzat

Kongresmenit republikan Chris Collins, i cili u arrestua të mërkurën nën akuza për tregti të paligjshme aksionesh nuk e pranoi fajësinë.

Zyra e Prokurorit të SHBA në Qarkun Jugor të Nju Jorkut e akuzon kongresmenin Collins në lidhje me një skemë që ajo thotë se ai ka përdorur për të informuar në mënyrë të paligjshme persona të tjerë për të tregtuar aksione të një kompanie australiane të bioteknologjisë.

Ligjvënësi nga Nju Jorku, një nga anëtarët e parë të Kongresit që mbështeti kandidatin e atëhershëm Donald Trump gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, u dorëzua vetë në Byronë Federale të Hetimeve të mërkurën në mëngjes.

Më parë gjatë këtij viti, në një raport të Zyrës së Kongresit për Etikën thuhej se Collins mund të kishte kryer një krim federal duke u zbuluar investitorëve të tjerë informacione të brendshme të kompanisë. Investitorët në fjalë përfshinin edhe djalin e tij, i cili gjithashtu është akuzuar. Kongresmeni Collins ishte anëtar bordi i kompanisë.

Djali i tij, Cameron Collins, akuzohet se ia kishte kaluar informacionet një tjetri personi të akuzuar, Stephen Zarsky, i ati i gruas së tij.

Prokurorët thanë se në sajë të informacionit që shkëmbyen, të tre personat e përfshirë shmangën një humbje prej gati 770 mijë dollarësh.

Avokatët e zotit Collins thanë në një deklaratë se “do të bëjnë një mbrojtje të fuqishme për të pastruar emrin e tij të mirë”.

Kongresmeni po kandidon për rizgjedhje në nëntor dhe ka grumbulluar më shumë se 1.3 milionë dollarë për fushatën e rizgjedhjes.

SHBA, gjarpërinjtë pushtojnë bibliotekën

UASHINGTON – Pasi që janë vërejtur shumë gjarpërinj në Bibliotekën Georgetown të kryeqytetit të SHBA-ve, Washington, ndërtesa është vënë nën karantinë.

Sipas lajmeve në mediat amerikane, ngjarjet filluan pasi që të shtunën e kaluar një punonjës i bibliotekës ka vërejtur një gjarpër në katin e poshtëm të ndërtesës.

Punonjësi e kapi gjarprin dhe e nxori atë në pyll, por punonjësit e tjerë treguan se kanë parë shumë gjarpërinj brenda ndërtesës.

Gjarpërinjtë zhduken misteriozisht

Gjarpërinjtë për të cilët nuk dihen se prej ku kanë ardhur kanë shkaktuar panik, ndërsa administrata arriti marrëveshje me një kompani të spërkatjes për të pastruar ndërtesën nga këto gjallesa.

Kompania i mbylli të gjitha pjesët e bibliotekës që çonin jashtë saj, ndërsa ndërtesën e mori nën karantinë dy ditore.

Punonjësit e kësaj kompanie pasi që dje kanë hapur bibliotekën treguan se vetëm një gjarpër ka ngordhur si pasojë e spërkatjes, ndërsa të tjerët në mënyrë misterioze janë zhdukur.

Zyrtarët e bibliotekës theksuan se më parë nuk kanë hasur me ndonjë gjë të ngjashme si kjo.

Ndërkohë zyrtarët lokal tregojnë se gjarpërinjtë mund të kenë hyrë brenda shtëpive dhe vendeve të punës pas shirave që zgjatën me ditë. aa

Kalifornia përballet me zjarret më të mëdha në histori

Dy zjarre në veri të Kalifornisë, të cilat kanë nisur si pasojë e motit të nxehtë, janë kthyer të hënën në zjarret më të mëdha në historinë e këtij shteti, pas një ere të nxehtë që ka shkaktuar zgjerimin e tyre, transmeton AP.

Të dyja zjarret që kanë nisur shumë afër njëra-tjetrës, dhe njihen si Kompleksi Mendocini janë duke u trajtuar si incident i vetëm.

Zyrtarët e zjarrit kanë njoftuar të hënën se dy zjarret kanë përfshirë një territor prej 1,148 kilometrash katrorë.

Këto dy zjarre kanë shkatërruar 75 shtëpi dhe kanë detyruar mijëra persona të largohen nga zonat e banimit të tyre, çka ka shtyrë presidentin amerikan, Donald Trump të deklarojë “katastrofë të madhe” në këtë shtet.

Zgjerimi i territorit të përfshirë nga zjarri tejkalon një zjarr të dhjetorit të vitit të kaluar në jug të Kalifornisë, i cili kishte djegur 1,140 kilometra katrorë.

Si pasojë e atij zjarri kishte humbur jetën një zjarrfikës dhe ishin shkatërruar më shumë se 1,000 ndërtesa derisa flakët ishte ndalur plotësisht më 12 janar.

Ekspertët për klimë dhe zjarre kanë thënë se ndryshimi i klimës është duke ndikuar në tharjen e bimëve dhe nxitjen e nisjes së zjarreve, të cilat me shpejtësi më pas po barten nga zonat rurale në pjesët urbane.

Mirëpo ata po ashtu kanë fajësuar qytete dhe qyteza që po zgjerojnë hapësirat e banimit në zonat që dikur kanë qenë të pazhvilluara.

Zëdhënësi për Mbrojtje nga Zjarri, Scott McLean, ka thënë që më shumë se 14,000 zjarrfikës janë duke u përballur me dhjetëra zjarre në gjithë Kaliforninë.

“Më kujtohet disa vjet më parë kur kemi parë 10 deri në 12,000 zjarrfikës në Kaliforni, Oregon dhe Uashingtoni, mirëpo kurrë nuk kemi parë 14,000 sikurse tani”, ka shtuar ai.

Trumpi e vë në dyshim inteligjencën e Lebron James

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kritikuar basketbollistin e famshëm Lebron James i cili cilësohet “mbret i basketbollit”.

Trump në një postim në rrjetin social Twitter ka kritikuar personalitetin e televizionit Don Lemon duke e quajtur “njeriu më i paditur në televizion” dhe shtoi se Lemon ka bërë “Lebronin të duket i mençur, gjë që nuk është e lehtë”.

Trump përfundoi postimin me deklarimin “Unë e pëlqej Mike”, që i dedikohej legjendës së NBA, Michael Jordan, në krahasim me Lebron James.

Trump kishe kritikuar vazhdimisht NFL, për mosdënimin e lojtarëve që gjunjëzohen gjatë himnit të flamurit në formë proteste.

“Sporti nuk është dicka që na ndan, por që na bashkon”, tha James në një intervistë.

Mbretëresha e Anglisë më la të prisja 15 minuta në takim

Erion Kaçorri

UASHINGTON – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, akuzon Mbretëreshën Elizabetë të Anglisë se e la atë të priste për 15 minuta gjatë takimit të tyre në kështjellën Windsor.

Gjatë një fjalimi mbrëmjen e djeshme, në të cilin ai tha se “Anglia nuk ekziston më”, sulmoi edhe gazetarët që sipas të cilëve ai ishte vonuar në takimin me mbretëreshën.

“Historia është komplet ndryshe, unë mbërrita në kohë, dhe m’u desh të prisja 15 minuta,” tha Trump.

“Gëzoj respekt të madh për Mbretërinë e Bashkuar, e respektoj shumë. Njerëzit e quajnë Britani, ata e quajnë Britani e Madhe, më parë e quanin Angli. Shkova me bashkëshorten time atje herët, dhe po pritëm për 15 minuta, po dakort sepse është Mbretëresha, ok?” u shpreh Presidenti.

“U takuam me të dhe kaluam shumë mirë. Ishte takim fantastik. Më pas konsumuam një çaj të shijshëm. Takimi supozohej të zgjaste shumë pak, por zgjati një orë sepse po ia kalonim mirë”.

DASH: Është koha që Kosova dhe Serbia të jenë fleksibël

Shtetet e Bashkuara thonë se zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vetë palët dhe të jetë në duart e tyre.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Departamenti amerikan i Shtetit thekson se “SHBA-ja është e gatshme t’i dëgjojë dhe t’i ndihmojë palët në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët”.

Normalizimi i plotë i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është thelbësor për qëndrueshmërinë rajonale. Normalizimi po ashtu do t’iu hapte rrugë të qartë të dyja vendeve drejt anëtarësimit eventual në Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës. Tani është koha që palët të jenë kreative dhe fleksibël”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Ajo vjen si përgjigje pas sugjerimeve të fundit se zgjidhja e mundshme e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi mund të arrihet me shkëmbim territoresh në vija etnike.

Presidentët e të dyja vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, e kanë hedhur idenë – i pari për korrigjim kufijsh, ndërsa tjetri për ndarje territoriale.

SHBA: Këshilltari i posaçëm dëshiron të intervistojë këngëtarin Agalarov

Këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller dëshiron të intervistojë Emin Agalorov, një këngëtar azerbajxhano-rus, njëherësh ish-dhëndëri i presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev, ka thënë avokati i Agalorov.

Mueller është duke hetuar pretendimet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 dhe nëse fushata e presidentit, Donald Trump ka bashkëpunuar me Rusinë.

NBC News ka cituar avokatin Scott Balber të ketë thënë se Mueller ka kërkuar një intervistë me Agalarov.

Balber nuk ka dhënë më shumë detaje nëse Mueller gjithashtu ishte i interesuar që të flasë me babain e këngëtarit, Aras Agalarov, një person mjaft i pasur që ka lidhje me presidentin rus, Vladimir Putin.

Agalarovët ishin partnerë të Trumpit në konkursin e Miss Universe në Moskë më 2013. Ata gjithashtu kanë luajtur rol kyç në aranzhimin e takimit në mes të djalit të Trumpit, Donald Trump Jr., dhëndrit të presidentit, Jared Kushner, shefit të fushatës Paul Manafort me avokaten ruse, Natalya Veselnitskaya.

Ky takim, i realizuar në Trump Tower në Nju Jork, ishte aranzhuar pasi një ndërmjetës rus i kishte thënë djalit të presidentit Trump se zyrtarët rusë kanë ofruar dokumente dhe informacione që mund të dëmtonin rivalen demokrate Hillary Clinton. Avokatja ruse, Veselnitskaya ka mohuar se ka vepruar në emër të Kremlinit kur është takuar me ekipin e Trumpit.

Këngëtari Agalarov ka konfirmuar se ka ndihmuar në organizimin e këtij takimi, por ai ka mohuar se në këtë takim është biseduar për informacione inkriminuese.

Prokurorët ofrojnë format të kufizuar për intervistë me presidentin

Gjatë negociatave për një intervistë të mundshme të Presidentit Trump nga prokurorët, ekipi i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller i ka ofruar Shtëpisë së Bardhë ndryshime në formatin e pyetjeve, duke treguar ndoshta gatishmërinë për të kufizuar disa pyetje që do t’i bëhen Presidentit Donald Trump ose për pranim të disa përgjigjeve me shkrim, sipas një personi që ka dijeni mbi propozimin.

Negociatat mes avokatëve të zotit Trump dhe Prokurorit të Posaçëm që po heton ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016, kanë rifilluar ditët e fundit dhe nuk është e qartë nëse do të arrihet një marrëveshje, sipas të njëjtit person i cili foli të enjten në kushtet e anonimitetit. Zoti Trump ka shprehur publikisht dëshirën për t’u intervistuar, por avokatët e tij i kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur propozimet e hetuesve.

Avokatët e zotit Trump thonë se të dyja palët kanë shkëmbyer propozime lidhur me kushte për një intervistë me Presidentin Trump.

Negociatat vijnë në sfondin e sulmeve të përshkallëzuara të zotit Trump ndaj hetimit, përfshirë deklaratën e tij të postuar në twitter që Prokurori i Përgjithshëm t’i jepte fund “menjëherë” hetimin federal lidhur me mundësinë e një bashkëpunimi të fshehtë, mes njerëzve të fushatës së tij presidenciale dhe Rusisë.

Zoti Trump sulmoi gjithashtu dhe gjyqin që po zhvillohet ndaj ish-shefit të fushatës së tij presidenciale si pasojë e aktakuzës së ngritur nga ekipi i Prokurorit të Posaçëm.

Të mërkurën sekretarja e shtypit në Shtëpinë e Bardhë Sarah Huckabee Sanders, u përpoq të shpjegonte se postimi i zotit Trump nuk “ishte një urdhër” dhe se presidenti nuk po i kërkonte Prokurorit të Përgjithshëm të ndërmerrte ndonjë veprim. “Ishte mendimi i presidentit”, tha ajo.

Zyrtarë të lartë të administratës Trump, të shqetësuar për ndërhyrjet ruse

Zyrtarë të administratës Trump shprehën shqetësim për rrezikun për ndërhyrje në zgjedhjet e ardhshme amerikane. Drejtori i Shërbimeve amerikane të Zbulimit, Dan Coats, paralajmëroi se Rusia vazhdon “përpjekjet për të dobësuar dhe përçarë” Shtetet e Bashkuara para votimeve.

“Vazhdojmë të shohim një fushatë të gjerë nga Rusia për të dobësuar dhe përçarë Shtetet e Bashkuara”. Ai shtoi se është “në dieni edhe të përpjekjeve nga vende të tjera që janë të interesuara të ndikojnë tek zhvillimet e brendshme politike” të Amerikës. Zoti Coats i bëri komentet në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të enjten pasdite.

Këshilltari i presidentit për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, Drejtori i FBI-së, Christopher Wray dhe Sekretarja për Sigurinë Kombëtare, Kirstjen Nielsen bërë gjithashtu komente në konferencën për shtyp.

Zoti Coats tha se Presidenti Donald Trump “na ka dhënë udhëzime të posaçme që ta trajtojmë rrezikun e ndërhyrjeve në zgjedhje dhe sigurinë e procesit tonë zgjedhor si një përparësi kryesore”.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Nielsen paralajmëroi: “Vetë demokracia jonë është në shenjestër”.

Presidenti Trump ka thënë se ka diskutuar me Presidentin rus Putin çështjen e ndërhyrjes ruse në zgjedhje, gjatë takimit muajin e kaluar në Helsinki. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, pas bisedimeve me zotin Putin, Presidenti Trump i mbajti krahun udhëheqësit rus që mohoi se Moska kishte ndërhyrë në zgjedhjet e 2016 për të ndihmuar në fitoren e Donald Trumpit.

Pasi u përball me kritika të forta në vend, Presidenti Trump i tërhoqi komentet dhe tha se e pranonte përfundimin e shërbimeve amerikane të zbulimit se Rusia në fakt kishte ndërhyrë në procesin zgjedhor.

Prokurori i Posaçëm, Robert Mueller po kryeson procesin hetimor mbi ndërhyrjet ruse dhe nëse ka pasur bashkëpunim të fshehtë mes Moskës dhe fushatës Trump para zgjedhjeve 2016.

Zoti Trump e ka sulmuar në mënyrë të përsëritur procesin hetimor si “gjueti shtrigash”.

SHBA: Senatorët paraqesin projekt-ligjin për sanksione të reja ndaj Rusisë

Senatorët republikanë dhe demokratë paraqitën një projekt-ligj të enjten për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, përpjekja më e fundit e ligjvënësve për të ndëshkuar Moskës lidhur me ndërhyrjen e saj në zgjedhjet amerikane dhe aktivitetet e saj në Siri dhe Ukrainë. Projekt-ligji përfshin kufizime në transaksionet për borxhin e ri rus, projektet e energjisë dhe naftës, importet ruse të uraniumin dhe sanksione të reja ndaj figurave politike dhe oligarkëve rusë. Tregjet ruse reaguan shpejt pas publikimit të projekt-ligjit, me dobësimin e obligacioneve në rubla e dollarë.

Regjimi aktual i sanksioneve ka dështuar të frenojë Rusinë nga ndërhyrja në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2018“, tha senatori republikan Lindsey Graham, një nga mbështetësit kryesor të projekt-ligjit. Verën e kaluar Kongresi miratoi një ligj që parashikonte sanksione ndaj Rusisë dhe disa ligjvënës kritikuan atë që e cilësuan si hezitim të Presidentit Donald Trump për ta zbatuar atë. Zoti Trump e nënshkroi ligjin vetëm pasi Kongresi e miratoi me shumicë dërrmuese votash.

Senatori demokrat Bob Menendez tha se administrata nuk i është përmbajtur plotësisht sanksioneve të vendosura.

Ky projekt-ligj është hapi tjetër për t’i bërë presion Kremlinit në mënyrë që Putini ta kuptojë më në fund se SHBA-ja nuk do ta tolerojë më sjelljen e tij“, tha ai.

Republikanët dhe demokratët u bashkuan muajin e kaluar duke kritikuar dështimin e zotit Trump për të dënuar publikisht Presidentit Vladimir Putin për ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2016. Sidoqoftë, Kongresi dështoi të ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me këtë gjë, përpara se të largoheshin nga Uashingtoni për pushimet e verës. E ardhmja e projekt-ligjit të fundit nuk është ende e qartë. Ai duhet të miratohet si nga Senati ashtu edhe Dhoma e Përfaqësuesve si dhe të nënshkruhet nga presidenti Trump në mënyrë që të shdërrohet në ligj.

Apple arrin 1 trilionshin në bursë

Kompania Apple arriti vlerën 1 trilion dollarë në tregun e aksioneve, duke shënuar një rekord historik.

Aksionet e kompanisë përkohësisht arritën çmimin 207.05 dollarë dhe kjo bëri që kapitali i saj në treg të shënonte 1 trilion.

Apple është kompania e parë amerikane e tregtuar publikisht që arrin një kapitalizim tregu në këtë shifër historike.

Kompania Amazon, që disa analistë kishin thënë se do ta arrinte e para një trilionshin, vjen e dyta në vlerë, me 879 miliardë dollarë.

Goditet grupi ndërkombëtar i krimit kibernetik

Autoritetet amerikane njoftojnë se janë kapur vjedhësit kibernetikë, të cilët përvetësuan miliona numra kartash krediti dhe debiti nga disa prej rrjeteve të mëdha komerciale në SHBA.

Autoritetet ligjzbatuese njoftuan arrestimet dhe aktakuzën ndaj tre drejtuesve të grupit të njohur FIN-7 në Evropën Lindore, i dyshuar për disa sulme kibernetike ndaj më shumë se 120 kompanive amerikane midis viteve 2015 dhe 2017.

Kompanitë e vëna në shënjestër nga grupi ishin kryesisht në industrinë e restoranteve, lojrave të fatit dhe mikpritjes, sipas prokurorëve.

Autoritetet identifikuan vetëm shtatë nga bizneset viktima.

“Hetimi vazhdon, nuk kemi asnjë iluzion se e kemi mposhtur plotësisht këtë grup, por i kemi dhënë një goditje të madhe: këta hakerë mendojnë se mund të fshihen pas tastierave në vende të largëta dhe se mund t’i shpëtojnë krahut të gjatë të ligjit amerikan, por e kanë të pamundur,” tha prokurorja e çështjes, Annette Hayes.

Zyrtarët i identifikuan tre të arrestuarit si shtetasit ukrainas Dmytro Fedorov, 44 vjeç, Fedir Hladyr, 33 vjeç dhe Andrii Kolpakov, 30 vjeç.

Hladyr, administratori i sistemeve të dyshuara të grupit, është në paraburgim në Seattle, pas arrestimit në Gjermani në janar dhe ekstradimit në Shtetet e Bashkuara në fillim të majit.

Dy të tjerët janë në paraburgim në Poloni dhe Spanjë në pritje të ekstradimit në Shtetet e Bashkuara.

“Ka qenë një hetim afatgjatë dhe i sofistikuar ndaj një grupi të krimit të organizuar që i kalonte kufijtë e vendeve dhe që e identifikuam përmes ekspertizës së avancuar kibernetike,” thotë Jay Tabb, Agjent i posaçëm i FBI-së.

Krimi kibernetik është një biznes global prej 600 miliard dollarësh, sipas ekspertëve. Hakerët janë bërë gjithnjë e më të sofistikuar vitet e fundit, duke e bërë kapjen e tyre më të vështirë.

Por rritja e bashkëpunimit midis kompanive private, firmave të sigurisë në internet dhe agjencive të zbatimit të ligjit ka çuar në një varg goditjesh të këtij lloji krimi gjatë vitit të shkuar.

Trumpi kërkon që hetimi i Rusisë të përfundojë “menjëherë”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i bëri thirrje prokurorit të përgjithshëm, Jeff Sessions, të ndalojë “menjëherë” hetimin e lidhjeve midis Rusisë dhe fushatës së tij zgjedhore, të vitit 2016.

Kërkesa e Trumpit që Sessions t’i ndalojë hetimet nga këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, nxiti kritika nga republikanët e tij në Kongres, të cilët thanë se hetimet duhet të vazhdojnë.

Demokratët, ndërkaq, e cilësuan këtë veprim si përpjekje të fundit të Trumpit për të penguar drejtësinë – një krim i mundshëm të cilin Mueller raportohet se po e heton.

Në një seri postimesh në Twitter, Trump i cilësoi hetimet e Muellerit për bashkëpunim të fshehtë midis Rusisë dhe fushatës së tij si “mashtrim total”.

..This is a terrible situation and Attorney General Jeff Sessions should stop this Rigged Witch Hunt right now, before it continues to stain our country any further. Bob Mueller is totally conflicted, and his 17 Angry Democrats that are doing his dirty work are a disgrace to USA!

— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) August 1, 2018

“Kjo është një situatë e tmerrshme dhe prokurori i përgjithshëm, Jeff Sessions, duhet ta ndalojë këtë gjueti të manipuluar shtrigash menjëherë, përpara se të vazhdojë ta njollosë vedin tonë”, tha Trump.

Përfaqësuesi demokrat, Adam Schiff, tha se Trump “i bëri thirrje prokurorit të tij të përgjithshëm t’i ndalojë hetimet në të cilat presidenti, familja e tij dhe fushata mund të jenë të përfshira”.

Schiff tha se presidenti bëri përpjekje “të pengojë drejtësinë”.

E pyetur nëse Trump po e urdhëron Sessions të shkarkojë Muellerin, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se postimi i presidentit në Twitter “nuk është urdhër” dhe se ai nuk po e urdhëron prokurorin e tij të përgjithshëm të bëjë asgjë.

“Është opinion i presidentit”, tha Sanders, duke shtuar se Trump është zemëruar me vazhdimin e hetimeve edhe këtë vit, pavarësisht shpresave të avokatëve të tij se ato do të përfundojnë në fillim të 2018-ës.

“Presidenti nuk po pengon, po lufton”, tha Sanders.

Mediat kanë raportuar se Mueller, i cili është emëruar nga Departamenti i Drejtësisë një vit më parë, është duke hetuar nëse postimet e shpeshta të Trumpit në Twitter, që sulmojnë hetimet e tij dhe u tërheqin vërejtjen zyrtarëve të Departamentit të Drejtësisë për lejimin e vazhdimit të tyre, ofrojnë prova që tregojnë se ai po bën përpjekje të pengojë drejtësinë.

Në muajin mars, Trump ka thënë se mund të ndërmarrë vetë veprime kundër hetimeve, nëse Departamenti i Drejtësisë nuk ndërhyn.

“Në një moment nuk do të kem zgjedhje, pos t’i shfrytëzoj fuqitë që i garantohen presidentit dhe të përfshihem”, ka thënë Trump atëbotë.

“Tani ka prova shumë të besueshme se presidenti i Shteteve të Bashkuara po e pengon drejtësinë, para syve tanë”, tha senatori demokrat, Richard Blumenthal, pas postimeve të fundit të Trumpit.

Sessions është përballur me kritika të vazhdueshme nga Trump prejse ai e ka tërhequr veten nga hetimet e Muellerit, vitin e kaluar, duke nxjerrë si arsye rolin e tij si këshilltar i fushatës zgjedhore të Trumpit.

Prokurori i përgjithshëm amerikan, Jeff Sessions.
Prokurori i përgjithshëm amerikan, Jeff Sessions.

Si rezultat i kësaj, Sessions nuk ka më autoritet për t’i ndaluar hetimet. Ai e ka kaluar këtë kompetencë te zëvendësi i prokurorit të përgjithshëm, Rod Rosenstein, i cili po ashtu ka qenë cak i sulmeve të Trumpit.

Por, Mueller, republikan dhe ish-drejtor i FBI-së, ka mbështetje të gjerë në Kongres, ku republiknaët kanë kontrollin e të dyja dhomave.

Disa senatorë republikanë e hodhën poshtë thirrjen e Trumpit për t’iu dhënë fund hetimeve që po bën Mueller.

“Nuk mendoj se ndonjë përpjekje për t’i ndërprerë ato apo për t’i mbyllur më herët është në interesin më të mirë të publikut”, tha senatori John Thune, republikani numër 3 i Senatit.

Në muajin prill, Komiteti i Gjyqësorit i Senatit ka miratuar një legjislacion për të mbrojtur Muellerin nga shkarkimi, por udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell, ka thënë se nuk ka nevojë për ta çuar përpara projektligjin, sepse ai nuk beson se Trump do ta shkarkojë Muellerin.

Përgatiti: Valona Tela

SHBA do të dërgojë mbi 100 ushtarë në Kosovë

Ushtarë të SHBA-së, pjesë e forcave paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë. Foto nga arkivi

Mbi 125 ushtarë të batalionit për sulme me helikopterë të Gardës Kombëtare të shtetit amerikan Tenesi, vitin e ardhshëm do të dërgohen në Kosovë. Ata do të shërbejnë në Kosovë për 11 muaj dhe do t’i ofrojnë ndihmë KFOR-it në ruajtjen e paqes.

“Ushtria e Shteteve të Bashkuara është e pranishme në Kosovë për më shumë se 20 vjet dhe në vitet e fundit, këto forca janë komanduar nga Garda Kombëtare”, ka thënë gjenerali Max Hatson, raporton Fox17.

“Stabilizimi i këtij vendi është një angazhim i SHBA-së dhe NATO-s, prandaj Garda Kombëtare e Tenesisë ka vendosur njësi të shumta dhe personal gjatë viteve të fundit, për të ndihmuar në ruajtjen e paqes”, ka thënë tutje gjenerali Hatson.

Përveç dërgimit të trupave në Kosovë, Garda Kombëtare e Tenesisë do të dërtgojë trupa edhe në Ukrainë dhe Poloni. Zyrtarët kanë thënë se në këto tri misione do të dërgohen pothuajse 1,200 ushtarë, që është numri më i madh i ushtarëve të dërguar në misione jashtë vendit, që prej vitit 2010.

SHBA do të mbrojë sistemin e votimit nga sulmet kibernetike

Vetëm tre muaj kanë mbetur deri në zgjedhjet për Kongresin në Shtetet e Bashkuara dhe ligjvënësit, zyrtarët e qeverisë dhe industritë private po punojnë për të mbrojtur votuesit nga ndërhyrjet kibernetike dhe propaganda e huaj që përpiqet të ndikojë tek opinionet e tyre politike. Ligjvënësit nga të dyja partitë kanë dënuar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale para dy vjetësh dhe kanë bërë thirrje për masa për mbrojtjen e hapësirës kibernetike.

Të martën ligjvënësit amerikanë përshëndetën vendimin e rrjetit social Facebook për të mbyllur 32 llogari të rreme të dyshuara për përpjekje për ndërhyrje në poiltikën amerikane para zgjedhjeve të nëntorit.

Senatorja demokrate Jeanne Shaheen:

“Ne e dimë që nuk bëhet fjalë vetëm për ndërhyrjen në sistemet zgjedhore dhe ato të regjistrimeve shtetërore, por dhe për mbjelljen e përçarjeve në vend, mes politikanëve, mes qytetarëve të zakonshëm”.

Gjigandi i medias sociale nuk ka arritur të gjejë lidhje direkte të këtyre llogarive me Rusinë, por tha se kishte gjetur ngjashmëri me llogari të rreme të menazhuara nga Shën Peterburgu për të manipuluar zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët e administratës thonë se ndërhyrja e Rusisë ka marrë shumë forma.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kristjen Nielsen thotë:

“Pati spiunazh kibernetik, rrjedhje të të dhënave të vjedhura, ndërhyrje kibernetike në sistemet e regjistrimit të votuesve, propagandë në internet dhe të tjera. Dua të jem e qartë: Komuniteti ynë i zbulimit e ka të drejtë: bëhet fjalë për rusët”.

Në një konferencë për sigurinë kibernetike në Nju Jork të martën, zyrtarët e lartë amerikanë premtuan masa për të mbrojtur sistemin amerikan të votimit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të tolerojnë asnjë ndërhyrje të huaj në zgjedhjet tona nga asnjë vend tjetër, qoftë nga Rusia, Kina, Irani, Koreja e Veriut ose nga ndonjë vend tjetër”, tha nënpresidenti Mike Pence.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara jo vetëm që po forcojnë mbrojtjen kibernetike, por edhe përgjigjen ndaj sulmeve.

“Ka ikur koha kur Amerika lejonte kundërshtarët të bënin sulme kibernetike ndaj nesh, pa u ndëshkuar. Siguria amerikane do të jetë po aq mbizotëruese në botën dixhitale, sa edhe në botën fizike”.

Ekspertët e teknologjisë thonë se identifikimi i hakerave, nuk i ka frenuar përpjekjet e tyre.

Barbara Ortutay është gazetare për teknologjinë me agjencinë e lajmeve Associated Press.

“Që nga zgjedhjet ato vetëm janë shtuar dhe janë bërë më të sofistikuara. Facebook po e quan sigurinë kibernetike një garë armatimesh. Pra nuk është diçka që do të zhduket, ashtu siç nuk mund të zhduken krimet”.

Zoti Pence tha se qeveria ka nevojë për mbështetjen e sektorit privat dhe çdo qytetari amerikan për të ruajtur hapësirën kibernetike në Shtetet e Bashkuara.

SHBA, fillon një vit festimesh për 50 vjetorin e zbritjes së njeriut në Hënë

Një mbrëmje gala në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida hapi këtë javë një vit festimesh e aktivitetesh në përgatitje për 50 vjetorin e zbritjes së njeriut në Hënë. Personalitete, shkencëtarë e entuziastë të udhëtimeve në hapësirë ishin mbledhur për të festuar misionet Apollo që shënuan një revolucion në eksplorimin e hapësirës, duke u kurorëzuar me misioin Apollo 11 që arriti të dërgojë njerëz në Hënë. Astronautët Walt Cunningham, Rusty Schweickart dhe Tom Stafford të cilët kanë fluturuar me misione të ndryshme Apollo, reflektojnë mbi domethënien e këtyre misioneve për njerëzimin:

Vitin e ardhshëm mbushen 50 vjet që nga zbritja e njeriut në Hënë.

Qindra vetë u mblodhën këtë javë për të festuar këtë arritje që fizikani Brian Cox e vlerëson përtej domethënies shkencore:

“Mendoj se nuk ka gjë më të rëndësishme se të nderojmë Apollon. Për mua, është gjëja më e vështirë që kemi bërë ne si civilizim, prandaj e konsideroj si arritjen më të rëndësishme. Historia na tregon se nëse nuk përpiqemi të kapërcejmë kufijtë, nëse nuk përpiqemi të bëjmë gjëra të pamundura për kohën, qytetërimi ynë do të dështojë,” thotë fizikani Brian Cox.

Në mbrëmje ishin të pranishëm edhe Walt Cunningham, Rusty Schweickart dhe Tom Stafford, tre ndër astronautët e shumtë që fluturuan me gjeneratën e Misioneve Apollo.

“Duhet të kuptojmë se ky ishte një moment historik në evolucionin e njerëzimit dhe të jetës në këtë planet. Njeriu dhe makinat që ka krijuar po na japin mundësi të dalim jashtë gjirit të Tokës drejt kozmosit. Eshtë diçka e mrekullueshme kur mendon për jetën siç e konceptojmë ne në këtë planet të vogël të quajtur Tokë dhe që tani gradualisht po dalim jashtë tij,” shprehet Rusty Schweickart, i cili fluturoi me misionin Apollo 9.

Walt Cunningham kujton fillimet e programit Apollo. Ai fluturoi me Apollo 7 në 1968, një vit para zbritjes në Hënë:

“Po i afrohemi 50-vjetorit të misioneve Apollo, që nga misioni i parë i daljes në hapësirë me Apollo 7, me të cilin fluturova unë, deri tek Apollo 11 që zbriti në Hënë. Më duket e çuditshme, por edhe frymëzuese që njerëzit janë kaq të entuziazmuar për arritjet në hapësirë,” thotë Walt Cunningham, astronaut i Apollos.

Astronauti Cunningham kujton se një rendje drejt hapësirës që filloi si një konkurrencë mes dy superfuqish shënoi arritje të mëdha për mbarë njerëzimin.

“E filluam si garë me Rusinë, që të eksploronim hapësirën, por ajo që kishte më rëndësi është zbritja e njeriut në Hënë”.

87-vjeçari Tom Stafford ka regjistruar 507 orë e 43 minuta në hapësirë. Ai ishte komandant i Projektit Apollo-Soyuz, një mision i përbashkët hapësinor që shënoi një moment historik të takimit të austronautëve amerikanë dhe kozmonautëve rusë në hapësirë, duke simbolizuar ndalimin e garës për hapësirën. Ai shpjegon se një celular i ditëve tona shkencë më të avancuar se sa anija hapsinore me të cilën ai udhëtoi në hapësirë. Ai ia dedikon arritjet e Apollos përkushtimit të punonjësve të NASA-s.

“Njerëzit duhet ta kuptojmë sa shumë kemi punuar. Mbi 400 mijë vetë punonin për projektin Apollo. Java me 5 ditë punë, nga tetë orë në ditë do të na dukej si javë pushimesh në atë kohë. Brenda 20 muajsh dërguam 10 misione Gemini. Brenda nëntë muajsh dërguam pesë misione Apollo dhe katër me anijen Saturn. Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm”.

Një ndër sponsorizuesit e mbrëmjes gala ishte Fondacioni ShareSpace i astronautit Buzz Aldrin, një ndër dy astronautët që zbritën në Hënë më 20 korrik 1969. Aktiviteti në Florida shërbeu edhe për të grumbulluar fonde për programe mësimore për shkencën dhe teknologjinë.

Trumpi vazhdon sulmet ndaj hetimeve të prokurorit të posaçëm Robert Mueller

Presidenti amerikan Donald Trump vazhdoi sot sulmet ndaj hetimeve të prokurorit të posaçëm Robert Mueller për lidhjet e dyshuara midis fushatës së tij presidenciale të vitit 2016 dhe Rusisë, duke deklaruar se “një bashkëpunim i fshehtë nuk përbën krim”.

Presidenti u bëri jehonë komenteve të njërit prej avokatëve të tij, ish-kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut Rudy Giuliani, i cili thotë se në kodin ligjor amerikan bashkëpunimi i fshehtë nuk përbën vepër penale. Presidenti Trump shtoi se kjo gjithsesi “nuk ka rëndësi”, sepse fushata e tij nuk ka bashkëpunuar fshehurazi me Rusinë.

Por analistët ligjorë në SHBA thonë se edhe pse bashkëpunimi i fshehtë mund të mos jetë krim, zoti Mueller ka mundësi që të jetë duke hetuar rreth një komploti të mundshëm, që në vetvete përbën vepër penale, për t’u lidhur me një qeveri të huaj me synimin që të ndikohej në zgjedhje. Sipas tyre, ka gjithashtu mundësi që ai të jetë duke hetuar rreth lidhjeve të shumta që ndihmësit e zotit Trump mendohet se kanë patur me interesat ruse.

Vetë zoti Trump ka pohuar me hezitim se në zgjedhje ka patur ndërhyrje të Rusisë, por e ka quajtur hetimin “një mashtrim të madh” me të cilin kundërshtarët përpiqen të shpjegojnë fitoren e tij ndaj ish-kandidates demokrate Hillary Clinton.

Fillon gjyqi ndaj ish-këshilltarit të Presidentit Trump, Paul Manafort

Paul Manafort, ish-kryetari i fushatës së Presidentit Donald Trump, doli sot në gjyq në Aleksandria të Virxhinias, në një nga dy çështjet penale që u paraqitën kundër tij nga Prokurori i Posaçëm, Robert Mueller. Ai bëhet i pari mes ish-këshilltarëve të Presidentit Trump që del në gjyq, nën akuzat për mashtrime bankare dhe me taksat nga hetuesit federalë që po shqyrtojnë ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Nga ana e jashtme, akuzat kriminale kundër zotit Manafort – mospagim taksash, mosraportim i llogarive të huaja bankare dhe marrje huash përmes mashtrimit në banka – nuk kanë lidhje me thelbin e hetimit të zotit Mueller.

Akuzat vijnë nga lobizmi dhe aktiviteti i tij si konsulent politik për ish-Presidentin e Ukrainës, Viktor Yanukovych.

Ndërsa punonin nga viti 2006 deri në vitin 2015 për zotin Yanukovych dhe forcën e tij politike pro-ruse, Partinë e Rajoneve, zoti Manafort dhe ish-partneri i tij i biznesit, Rick Gates, akuzohen se fituan dhjetra miliona dollarë, ndërkohë që ia fshehën këto të ardhura agjencisë së taksave.

“Emri i zotit Manafort përmendet në ‘listën e zezë’ të Partisë së Rajoneve. Sipas kësaj liste, 12 milionë dollarë janë shpenzuar për të mbuluar shpenzimet e lidhura me këtë person duke filluar nga nëntori 2007. Regjistrimi i fundit në librin e llogarive që lidhet me zotin Manafort, është bërë më 5 tetor 2012”, thotë Artem Sytnyk, shefi i zyrës së anti-korrupsionit në Ukrainë.

Prokurorët thonë se për të shmangur pagesën e taksave të larta, ata krijuan kompani sekrete fantazma dhe llogari në parajsa fiskale për t’i përcjellë të ardhurat nga Ukraina, duke i paraqitur si hua në llogari bankare amerikane dhe duke blerë prona miliona dollarëshe dhe mallra luksoze me to.

Pasi zoti Yanukovych u rrëzua nga pushteti në vitin 2014 dhe të ardhurat e tyre nga Ukraina ranë, Manafort dhe Gates akuzohen se sajuan një skemë tjetër për të fituar para: përdorën pronat e tyre të patundshme në Shtetet e Bashkuara si garanci për të siguruar me metoda mashtruese mbi 20 milionë hua nga bankat, duke i ekzagjeruar të ardhurat e tyre.

Prokurorët thonë se mbi 75 milionë dollarë kaluan përmes llogarive në parajsa fiskale që hapën Manafort dhe Gates.

Zoti Manafort nuk e ka pranuar fajësinë për akuzat që janë depozituar në gjykatën e Virxhinias, si edhe për një çështje tjetër në gjykatën federale në Uashington.

Ai ndodhet në burg që nga qershori, kur gjykatësi i çështjes së Uashingtonit, ja hoqi të drejtën e lirisë me kusht, pasi e akuzoi se ishte përpjekur të ndikonte tek dëshmitarë të mundshëm.

Manafort kishte qenë nën hetim federal që nga viti 2014 mbi dyshime për lobim të paligjshëm dhe mashtrime financiare. Por vitin e kaluar ai u përfshi në hetimin e Rusisë, pasi zoti Mueller filloi të analizonte lidhjet mes anëtarëve të fushatës së zotit Trump dhe Rusisë.

Prej 14 muajsh, zoti Muller ka mbledhur prova për çështjen kundër Manafortit.

I pandehuri përballet me 18 akuza. Vetëm akuzat për mashtrime bankare dhe konspiracion mund të sjellin dënime me nga 30 vjet burg secila.

Por disa ekspertë ligjorë thonë se Manafort mund t’i ketë varur shpresat tek një falje presidenciale nga zoti Trump që e ka quajtur ish-kryetarin e fushatës së tij “njeri të mirë” që po trajtohet padrejtësisht. Megjithatë zoti Trump nuk ka thënë shprehimisht se do ta bëjë këtë.

Ndërkaq, disa ekspertë ligjorë kanë thënë se edhe një falje presidenciale mund të mos e ndihojë zotin Manafort, pasi ndaj tij mund të ngrihet padi në një gjykatë shteti për shumë nga krimet për të cilat akuzohet nga prokurori i posaçëm. Faljet presidenciale mund të bëhen vetëm për krime federale.

“Ka mundësi që të mos përfitojë dot nga një falje, pasi ka gjithë këto akuza për pastrim parash kundër tij, për të cilat mund të paditet në shtetin e Nju Jorkut”, thotë Nick Akerman, ish-prokuror i çështjes Watergate.

Duke qenë se presidenti Trump e ka quajtur hetimin e prokurorit të posaçëm, Mueller “një gjueti shtrigash”, vendimi që do të merret në rastin e zotit Manafort, mund të përcaktojë besueshmërinë e hetimit.

A po afrohet Ankaraja me Moskën, si reagim ndaj kërcënimit amerikan?

Thellimi i përçarjeve mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara po nxit spekulimet se Turqia po i jep shtysë të mëtejshme forcimit të lidhjeve me Rusinë.

Të hënën zyrtarët e lartë turq u takuan me homologët e tyre ruse dhe iranianë në vendpushimin detar rus të Soçit, si pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes vendeve për zgjidhjen e luftës civile në Siri.

Mund të ndjekim rrugën tonë“, shkruante shtypi turk duke iu referuar një deklarate të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. “Shtetet e Bashkuara mund të humbasin një aleat besnik dhe të vlefshëm“, shtonte zoti Erdogan, si përgjigje ndaj kërcënimeve të Shteteve të Bashkuara.

Javën e kaluar, tensionet Turqi-SHBA u përshkallëzuan me shpejtësi kur Presidenti Donald Trump paralajmëroi “sanksione të ashpra” nëse Turqia nuk do të lironte nga paraburgimi pastorin amerikan Andrew Brunson. Ai ndodhet nën arrest shtëpiak i akuzuar për terrorizëm, akuza që Uashingtoni i ka hedhur poshtë si “të pabazuara”. Ankaraja thotë se çështja u takon gjykatave.

Ndërkohë, Rusia po përpiqet me sukses të tërheqë Turqinë. “Këto janë marrëdhëniet më të ngrohta që kemi pasur në historinë e republikës turke“, thotë ish-diplomati i lartë turk Aydin Selcen, i cili ka shërbyer në Uashington dhe në Lindjen e Mesme. Dy vendet i kanë thelluar shumë marrëdhëniet e bashkëpunim lidhur me luftën civile në Siri dhe tregtinë.

Vendimi i Turqisë për të blerë raketa S-400 nga Rusia po rrit shqetësimet mes aleatëve perëndimorë të Ankarasë. Uashingtoni paralajmëroi se raketat kërcënojnë të komprometojnë sistemet e mbrojtjes së NATO-s. Turqia dhe SHBA janë aleatë në NATO.

Shqetësimi i aleatëve

Analistët sugjerojnë se qasja gjithnjë e më e ashpër e Uashingtonit ndaj Ankarasë lidhur me çështjen e pastorit Brunson, mund të shpjegohet pjesërisht me shqetësimet më të gjera lidhur me besnikërinë e Turqisë ndaj aleatëve të saj perëndimorë.

Kërcënimi i zotit Trump për sanksione mund të jetë një mundësi për presidentin e Rusisë Vladimir Putin.

Nuk e përjashtoj mundësinë që Putini po i shet Erdoganit një lloj garancie për siguri, përkundrejt zemërimit amerikan“, thotë analisti politik Atilla Yesilada i “Global Source Partners”. “Putin ka gjithçka për të cilën ka nevojë Turqia, përveç parave. Dhe Turqia ka nevojë të dëshpëruar për fonde të huaja. Por vetëm Perëndimi mund t’i japë kredi“.

Kongresi amerikan i vetëdijshëm për varësinë e fortë të ekonomisë turke ndaj huamarrjes së huaj, po kërcënon me masa për të kufizuar aftësinë e Turqisë për të marrë hua.

Ekspertët gjithashtu vënë në dyshim nëse zoti Putini ka vërtet interes të thellojë më tej marrëdhëniet me Ankaranë.

Nuk mendoj se Moska dëshiron ta keTurqinë më pranë se kaq“, thotë ish-diplomati Selcen. “Për ta mjafton loja për ta mbajtur NATO-n të dobët, për ta mbajtur Turqinë me një këmbë në Perëndim dhe një në Lindje, sepse nuk është në interesin e presidentit Putin që Turqia të jetë e varur sikurse Bjellorusia. Le të kujtojmë që ekonomia ruse është më e vogël se ajo e Kalifornisë. Rusia nuk mund të mbajë barrën e Turqisë. Madje as të Sirisë“.

Turqia dhe Rusia kanë qenë historikisht rivalë rajonalë. “Turqia i ka balancuar gjithnjë marrëdhëniet e saj mes Perëndimit dhe Lindjes“, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Huseyin Bagci i universitetit Teknik të Lindjes së Mesme në Ankara. “Turqia i di kufizimet e bashkëpunimit me Rusinë”.

Siria si katalizator

Një këshilltar i presidentit Erdogan, që foli në kushte anonimiteti, theksoi muajin e kaluar se Ankaraja mbetet e përkushtuar ndaj aleancave të saj perëndimore dhe se marrëdhëniet me Rusinë bazohen tek domosdoshmëria e zgjidhjes së luftës civile në Siri dhe tregtia.

Bashkëpunimi i Ankarasë me Moskën lidhur me Sirinë përballet me tendosje në rritje. Zyrtarët turq akuzojnë Rusinë për mos respektimin e një marrëveshje për të krijuar zonat pa konflikt, ku një armëpushim do të mbronte rebelët sirianë. Zonat u krijuan si pjesë e atij që njihet si “Procesi i Astana-s” në kuadër të të cilit Irani, Turqia dhe Rusia bashkëpunojnë për të zgjidhur luftën siriane.

Pjesa më e madhe e zemërimit të Ankarasë, lidhet me atë që forcat e regjimit sirian të mbështetura nga forcat ajrore ruse janë duke e tejkaluar gradualisht zonat pa konflikt. Presidenti Erdogan është zotuar të mbrojë zonën e fundit kryesore në Idlib, në kufirin me Turqinë. Takimi i së hënës në Soçi i zyrtarëve turk, iranianë dhe rusë pritet të përqëndrohet në të ardhmen e enklavës së Idlib-it.

Takimi i nivelit të lartë në Helsinki mes zotit Putin dhe zotit Trump gjatë muajit korrik mund t’i tendosë edhe më tej lidhjet turko-ruse. “Në Helsinki u zhvillua një takim prej katër orësh. Kishte thelb! Ekziston tashmë baza për një marrëveshje përfundimtare politike lidhur me Sirinë“, thotë ish-diplomati turk Selçen.

Presidenti Trump, më shumë se Presidenti Barak Obama, është i gatshëm t’ia dorëzojë Sirinë Presidentit Bashar Assad, sapo IS-isi të jetë mundur,” thotë zoti Selcen. Sipas tij kjo tregon se “Moska dhe SHBA-ja mund të bien dakord mbi Sirinë, duke lënë jashtë Turqinë “. za

Trump do të takonte Rohanin pa kushte

Trump dhe Rouhani

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se është i gatshëm të takojë presidentin e Iranit, Hassan Rohani, “pa parakushte”, për të diskutuar mënyrat për përmirësimin e lidhjeve midis dy vendeve.

“Do të takoja secilin. Unë besoj në takime”, tha Trump në një konferencë për media në Uashington.

“Unë besoj në bisedime me njerëzit e tjerë, sidomos kur flitet për potencialet e luftës dhe vdekjes, urisë dhe shumë gjërave të tjera”, tha presidenti amerikan.

I pyetur nëse do të kishte kushte për takimin, Trump tha “jo”. “Nëse duan të takohen, do t’i takoj kur të duan. Do të ishte mirë për vendin, mirë për ta, mirë për ne dhe mirë për botën”, tha Trump.

Udhëheqësit iranianë nuk e refuzuan menjëherë ofertën e Trumpit, ashtu siç kanë bërë me një sugjerim të mëhershëm të tij, për negocimin e një marrëveshjeje të re bërthamore, e cila do të zëvendësonte paktin e vitit 2015, nga i cili Trump është tërhequr në muajn maj.

Një këshilltar i lartë i Rohanit, Hamid Aboutalebi, tha se një mënyrë për të rihapur bisedimet është rikthimi i SHBA-së në marrëveshjen bërthamore.

Aboutalebi tha se SHBA duhet të respektojë edhe të drejtat e popullit iranian dhe të zvogëlojë armiqësitë.

Trump, në javët e fundit, ka sugjeruar vazhdimisht negociata të drejtpërdrejta midis Uashingtonit dhe Teheranit, edhe kur ka shkëmbyer kërcënime me udhëheqësit iranianë.

“Jemi të gatshëm të bëjmë marrëveshje të vërtetë, jo marrëveshje siç e ka bërë administrata e mëparshme, që ka qenë një katastrofë”, ka thënë Trump javën e kaluar.

Asnjë president amerikan nuk është takuar me një udhëheqës iranian qysh para revolucionit të Iranit, më 1979, i cili ka rrëzuar shahun, aleat i SHBA-së.

Shtëpia e Bardhë e bëri të qartë, edhe pas ofertës së Trumpit, se presidenti nuk po i braktis kërkesat e SHBA-së për ndryshime të mëdha në Iran.

“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin veprime për t’iu dhënë fund sanksioneve, për të rivendosur marrëdhënie të plota diplomatike dhe tregtare, për t’i lejuar Iranit të ketë teknologji të përparuar dhe për të mbështetur riintegrimin e ekonomisë iraniane në sistemin eonomik ndërkombëtar”, tha Garrett Marquis, zëdhënës i Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

“Megjithatë, ky lehtësim është i mundur vetëm nëse ka ndryshime të prekshme dhe të qëndrueshme të politikave në Iran. Deri atëherë, goditja e sanksioneve do të ashpërsohet, nëse regjimi nuk e ndryshon drejtimin”, tha Marquis.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i tha televizionit CNBC se “presidenti dëshiron të takohet me njerëz për të zgjidhur problemet”.

“Nëse iranianët dëshmojnë se janë të angazhuar për të bërë ndryshime thelbësre në mënyrën se si i trajtojnë njerëzit e tyre, nëse e reduktojnë sjelljen keqdashëse, nëse pajtohen se është e vlefshme për të hyrë në një marrëveshje bërthamore që në fakt e parandalon përhapjen, atëherë presidenti është i gatshëm të ulet dhe të bisedojë me ta”, tha Pompeo.

Sanksionet e SHBA-së kanë bërë që ekonomia e Iranit të dobësohet dhe vlera e monedhës së tij kombëtare të bie. Rënia e shpejtë e rialit ka shkaktuar protesta në Teheran, muajin e kaluar.

Përgatiti: Valona Tela

Shpejtësi rekord në garën për Hyperloop

Një tren futurist që udhëton në një tunel special dhe përshkruan distancën nga qyteti Los Angeles për në San Françisko brenda 30 minutash… Kjo ishte ëndrra pesë vite më parë e zotit Elon Musk, themeluesi i kompanisë SpaceX. Me kalimin e viteve, ëndërra e tij po i afrohet realitetit. Para disa ditësh në Los Angeles u zhvillua gara e tretë vjetore për mjetin që do tëpërdorë tunelin që quhet Hyperloop. Në këtë garë u shënua një rekord tjetër shpejtësie.

467 kilometra në orë, ky është rekordi i ri i shpejtësisë nga ekipi gjerman WARR Hyperloop, i përbërë nga studentë të inxhinierisë. Kjo ishte gara e tretë vjetore që zhvillohet në qytetin Los Angeles. Më shumë se 600 ekipe nga e gjithë bota morën pjesë në gara. 20 prej tyre arriten finalen ndërsa vetëm tre ishin aq të shpejta, sa të provonin mjetet e tyre në një tunel special mbi 1 kilometër të gjatë. Kriteri kryesor ishte shpejtësia në tunelin me presion të kontrolluar.Florian Janke është përfaqësues i ekipit gjerman WARR Hyperloop.

“Provuam modele të ndryshme, një motor të madh, dy motorë të mëdhenj në të njëjtën shasi, që ishin ide të mira. Përfundimisht zgjodhëm motorë të vegjël që kanë raport të mirë mes fuqisë dhe peshës. Simulimi na tregoi se ky do të ishte varianti më i mirë.”

Inxhinierët thonë se u përballën me vështirësi të papritura, siç ishin pjesët elektronike që nuk ishin të përshtatshme për tunelin me presion të kontrolluar. Antoine Coppens është me ekipin EPFLOOP.

“Përdorëm bateri të tipit D dhe i përshtatëm së bashku në një kuti mbajtëse në një strukturë të bërë me printim 3D që e rrethon kutinë dhe bëmë të gjitha provat e efetshmërisë. Kjo të jep qëndrueshmëri sepse kur bateritë ekspozohen në mjedise me presion, mund të zgjerohen dhe rrezikojnë të shpërthejnë, apo të marrin zjarr. Ndaj kur i mban brenda një foleje, sigurohesh që kjo të mos ndodhë.”

Por ky nuk është i vetmi problem që duan të zgjidhin inxhinierët. Një ekip nga Holanda thotë se një sistem i plotë trasnporti me hyperloop do të eleminonte fluturimet e shkurtra, si dëmet që i shkaktohen mjedisit.Jelle Van Der Zon është me ekipin Delft Hyperloop.

“Këto mangësi ndikojnë tek fluturimet në distanca të shkurtëra deri në 1 mijë e 500 kilometra. Ne mendojmë se duhet rritur cilësia e transportit, pra do të përdoret sistemi me hyperloop. Mund të lidhim distancat prej 500 kilometrash si Amsterdamin, Brukselin, Parisin apo Berlinin.”

Shefi i kompanisë SpaceX dhe sponsorizues i hyperloop, Elon Musk, thotë se gara është për të thyer kufinjtë.

“Gara është për të nxitur njerëzit që të mendojnë për modele të reja transporti, që do të transformojnë rrënjësisht qytetet dhe lëvizjen. Besoj se do të ketë përmirësime rrënjësore.”

Gara e këtij viti tregoi se inxhinierët janë gjithnjë e më pranë kësaj zgjidhjeje.

Trumpi kërcënon me mbylljen e qeverisë, nëse Kongresi nuk miraton financimin e murit të Meksikës

Presidenti Donald Trump sot kërcënoi se do ta mbyllë qeverinë, nëse Kongresi nuk miraton financimin për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit me Meksikën, me synimin për të penguar emigracionin e paligjshëm.

Udhëheqësi amerikan tha se “demokratët e opozitës duhet t’i japin votat e nevojshme për sigurinë në kufi, ku përfshihet Muri!” dhe për ndryshime të tjera të politikës së emigracionit.

Por ligjvënësit republikanë kanë qenë të ndarë për ndryshimin e politikave të emigracionit, duke i hedhur poshtë dy herë javët e fundit propozimet e presidentit për këtë çështje, sikurse edhe opozita e unifikuar demokrate.

Në një koment në Twitter, Trump bënte thirrje që Shtetet e Bashkuara “më në fund të kenë një sistem imigracioni mbi bazën e meritave. Duhet që në vendin tonë të hyjnë njerëz të mirë”, shkruante në twittin e tij të së dielës Presidenti.

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1023557246628900864

Ndërtimi i Murit ndarës me Meksikën ka qenë një premtim i fushatës së zgjedhjeve presidenciale të zotit Trump. Muri kushton 20 miliardë dollarë, por Kongresi deri tani ka miratuar vetëm 1,5 miliardë dollarë për sigurinë në kufi.

Bisedime Pompeo-Cavusoglu për çështjen Brunson

Departamenti i Shtetit tha të shtunën se Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu kanë diskutuar për çështjen e pastorit amerikan Andrew Brunson, i cili është ndaluar në Turqi, nën akuzat për spiunazh dhe terrorizëm.

Nuk u dhanë hollësi lidhur me bisedën, por zëdhënësja Heather Nauert tha se të diplomatët ishin “të përkushtuar për t’i vazhduar diskutimet për zgjidhjen e çështjes”.

Ndalimi i pastorit Brunson është bërë një çështje që administrata Trump i ka kushtuar vëmendje të veçantë, madje duke kërcënuar edhe me vendosjen e sanksioneve, si një formë presioni për lirimin e pastorit.

Brunson u mbajt në burg për 21 muaj në Turqi dhe të mërkurën e kaluar ai u vu në arrest shtëpie.

Ndalimi i Brunsonit, pastor evangjelist nga Karolina e Veriut, ka shkaktuar tension në marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA, dy vende aleate në NATO.

E ardhmja e eksplorimit të hapësirës

49 vjet më parë, në muajin korrik astronautët amerikanë kryen ecjen e tyre të parë në Hënë. Gazetarja e Zërit të Amerikës Greta Van Susteren zhvilloi një diskutim në studio lidhur me eksplorimin e hapësirës dhe cila është perspektiva në këtë fushë, ndërsa propozimi i Presidentit Donald Trump për një forcë të re ushtarake të hapësirës, është ndeshur me pengesa në Kongres.

Ngjante si një sfidë e pamundur në ato vite, kur idenë e hodhi presidenti John F. Kennedy:

“Unë mendoj se vendi ynë duhet t’i përkushtohet një qëllimi, që para fundit të dekadës të çojmë njeriun e parë në Hënë, i cili të kthehet i sigurtë në Tokë”.

Tetë vjet më pas ndodhi hapi gjigant i njerëzimit.

“Pasi Presidenti Kennedy e filloi këtë sfidë, arritëm të përjetojmë për herë të parë hapësirën, për 15 minuta. Ishte e paimagjinueshme, por në fakt ne mundëm ta realizojmë dhe vitin e ardhshëm shënohet 50-vjetori I udhëtimit të parë të njeriut në Hënë.”- thotë Valerie Neal, drejtoreshë e Muzeut të Hapësirës.

Valerie Neal, drejtoreshë e Muzeumit Kombëtar të Hapësirës, kujton emocionet dhe admirimin që përjetoi kur pa ecjes së parë në Hënë. Por tani, 5 dekada më pas, ajo shqetësohet për mundësinë që hapësira të përdoret si arenë luftrash:

“Çaktivizimi i satelitëve të komunikimit, apo i sistemit të navigimit, do ta paralizonte jetën në Tokë. Nejemi të varur tek kjo teknologji. Jemi shumë vigjilentë që kjo të mos ndodhë, por mbetet një kërcënim i pranishëm,”-thotë ajo.

Presidenti Trump, në qershor, i dha urdhër Pentagonit të krijojë një “forcë të re ushtarake të hapësirës”:

“Kur është fjala për të mbrojtur Amerikën, nuk është e mjaftueshme të kemi praninë tonë në hapësirë, duam që Amerika të jetë dominuese në hapësirë”.

Kongresi, institucioni përgjegjës për krijimin e një dege të re të ushtrisë, nuk është ende i bindur për këtë ide të presidentit. Në fillim të javës, Komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit nuk përfshinë fonde për një forcë të hapësirës në buxhetin e mbrojtes për vitin e ardhshëm, megjithë shtysën nga sektori privat për komercializimin e eksplorimit të hapësirës.

“Ne mendojmë se duhet ta shfrytëzojmë hapësirën për njerëzit.”– tha një përfaqësues biznesi.

Aktualisht gjashtë kompani private janë duke u përpjekur për zhvillimin e turizmit në hapësirë dhe ndoshta vetëm pak muaj na ndajnë nga dërgimi i qytetarëve të thjeshtë në orbitë.

“50 vitet e para udhëtimi në hapësirë lidhej me qeverinë, ishte i kushtueshëm dhe i rrezikshëm. Në 50 vitet e ardhshme ka për të qenë ndryshe.”- thotë Terry Virts, ish komandant i Stacionit të Hapësirës.

Virts mendon se e ardhmja e industrisë së hapësirës është në dorë të partneritetit publik me atë privat.

Por prirja mund të jetë drejt shtimit të investimeve për biznes, thotë Peter McGrath, i kompanisë “Boeing’.

“Unë do të thoja se zakonisht qeveria është e para dhe pastaj idenë e zhvillon më tej biznesi.”– thotë Peter McGrath, i kompanisë Boeing.

Me afrimin e 50-vjetorit të vizitës së parë në Hënë, fokusi kalon tani tek drejtimi që do të marrë shkenca e hapësirës në 50 vitet e ardhshme.

Rritja më e madhe e ekonomisë amerikane në katër vjet

Presidenti Donald Trump thotë se shifrat pozitive të bëra publike për rritjen e ekonomisë amerikane janë “shumë të qëndrueshme”. Komentet e tij u bënë pasi u bë e ditur rritja me 4.1% e GDP-së gjatë tremujorit të dytë. Por analistët ngrenë pikëpyetje nëse kjo rritje do të jetë e qëndrueshme.

Presidenti Trump nuk humbi kohë për të marrë meritat e shifrave “mahnitëse” të ekonomisë, siç i quajti ai, duke parashikuar se ky është vetëm fillimi.

“Po shkojmë drejt nivelit më të lartë të rritjes në mbi 13 vjet. Po e theksoj këtu sot, se ndërsa do të na ofrohen marrëveshjet e reja të tregtisë, këto shifra do të rriten shumë më tepër”, deklaroi Presidenti Trump.

Duke u rritur me 4.1%, GDP-ja e Shteteve të Bashkuara arriti për herë të parë në katër vite të thyejë tavanin e rritjes prej katër përqind.

“Konsumatorët blejnë më shumë shërbime – diçka pozitive kjo. Shohim gjithashtu investime të forta në biznes gjatë tremujorit të dytë. Bizneset investojnë në paisje. Gjithashtu, shohim një rritje të madhe me gati 10% në eksporte”, thotë ekonomisti Gus Faucher.

Një ndër arsyet kryesore për rritje të eksporteve është se fermerët amerikanë po shesin produktet e tyre për t’i paraprirë tarifave të Presidentit Trump. Kjo do të ishte një arsye përse nuk do të ishte e qëndrueshme kjo lloj rritjeje.

“Kur rriten të ardhurat nga taksat, kemi rritje të fortë të pagave, vendeve të punës, si dhe investime të biznesit që mendoj se do të qëndrojnë edhe gjatë gjysmës së dytë të këtij viti, e cila ndoshta nuk do të jetë aq mirë sa tani, por do të jetë solide”, parashikon zoti Faucher.

Për momentin, mbështetësit e zotit Trump thonë se kjo është një fitore dhe se shifrat dëshmojnë për zgjuarsinë e përqasjes së tij kategorike ndaj tregtisë.

“Votuesit kërkojnë siguri për të ardhmen dhe për familjet e tyre. Duan që të gjejnë punë kur kërkojnë, si dhe të kenë lëvizshmërinë ekonomike. Pra, njerëzit do të shkojnë tek kutitë e votimit duke gjykuar nga gjendja e kuletës”, thotë Chris Garcia, ish-zyrtar i administratës Trump në Departamentin e Tregtisë.

Ndërsa po afrojnë zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, këta janë treguesit se perspektiva politike e Presidentit Trump mund të jetë më e mirë se ç’mendohet.

Trumpi komenton strategjinë e tij për tregje të lira

Ndërsa vazhdojnë shqetësimet lidhur me mosmarrëveshjet ekonomike me partnerët e kryesorë tregtarë të Shteteve të Bashkuara, Presidenti Donald Trump foli për strategjinë e tij të tregjeve të lira, në takimet që pati këtë javë në shtetet amerikane Ajova dhe Illinoi.

Presidenti Trump u përpoq t’i bindëte pjesëmarrësit në takimin e Ajovës, ku fermerët, shumë prej të cilëve e mbështesin atë, janë prekur nga tarifat e reja ndaj sojës dhe produkteve të tjera. Tarifat u vendosën nga Kina, si përgjigje ndaj tarifave të reja të vendosura ndaj mallrave kineze nga presidenti amerikan.

“Ne e hapëm tregun europian dhe kjo ka për të qenë diçka shumë e mirë për ta e për të gjithë ne, për fermerët tanë, sepse ka vetëm një treg të madh për të gjithë,” – tha Presidenti.

Zoti Trump tha se Europa “ka rënë dakord, thuajse menjëherë, të blejë sasi të mëdha të sojës, ngaqë Kina u përpoq ta dëmtonte fermerin amerikan.

Presidenti nuk dha hollësi për atë që ai tha se ishte një letër me një objektiv të caktuar e Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, ndërkohë që Sekretari amerikan i Thesarit Steven Mnuchin e cilësoi paktin “marrëveshje në parim”.

Një ditë para takimit në Zyrën Ovale mes Presidentit Trump dhe zotit Juncker, Departamenti amerikan i Bujqësisë njoftoi se ka caktuar një fond prej 12 miliardë dollarësh për t’u ardhur në ndihmë fermerëve amerikanë të prekur nga tarifat.

“Është pikëpamja e administratës, që bujqësia ka qenë objekt hakmarrjeje, si rezultat i veprimeve tona me synimin për të zbutur pabarazitë në tregti. Kjo është arsyeja që Presidenti dhe Sekretari i Bujqësisë e krijuan këtë program.”– tha një zyrtar i tregtisë.

Megjithatë, disa fermerë thonë se ndihmat financiare nuk do të mund të lehtësojnë ndikimin afatgjatë që do të kenë tarifat e reja ndaj të ardhurave të tyre.

“Për mua, kjo është një humbje e madhe, jo vetëm se ka rënë çmimi i produkteve tona, por ngaqë do të humbin tregjet”,- tha një fermer.

Presidenti Trump u takua edhe me punëtorët e uzinës së çelikut në Granite City, të Illinoit, të cilëve u tha se administrata e tij kishte marrë “masat më të ashpëra në vite, si përgjigje ndaj praktikave tregtare abuzive të Kinës.”

Trump: Nuk e dija për takimet mes rusëve dhe personelit të fushatës

Donald Trump Jr.

Presidenti amerikan, Donald Trump tha të premten se nuk kishte qenë në dijeni të takimit në vitin 2016 në Kullën Trump mes rusëve dhe anëtarëve të personelit të fushatës së tij, përfshirë të birin etij, Donald Trump Jr.

Në takim, rusët ofruan që të japin informacion që do të dëmtonte rivalen e tij demokrate, Hillary Clinton.

Zoti Trump shkruante në Twitter se nuk dinte gjë për takimin. Komenti I tij erdhi pas një njoftimi të CNN-it se ish-avokati i tij, Michael Cohen ka thënë se Presidenti Trump ishte në dijeni të takimit që më parë.

New York, protestë me valixhe në mbështetje të emigrantëve

NEW YORK – Në New York u organizua protestë me valixhe në mbështetje të emigrantëve të deportuar.

Protesta u organizua nga një grup aktivistësh të cilët kritikuan procesin e deportimit të emigrantëve dhe politikat e zbatuara, duke u shfaqur me valixhe në shenjë proteste ndaj praktikës që u lejon emigrantëve të marrin me vete vetëm nga një valixhe.

“Nëse të dashurit ose të afërmit tuaj do të ngelnin të detyruar të ndaheshin prej jush, çfarë do të vendosnit në një valixhe të vetme të cilën do ta merrnin?”, ishte shprehja me të cilën reaguan protestuesit. aa

Mijëra të evakuuar nga zjarret në Kaliforni, arrestohet piromani

LOS ANGELES – Zjarri në pyjet në rajonin San Bernardino të Kalifornisë në SHBA akoma nuk është vënë në kontroll.

Departamenti Zjarrfikës Riverside County bëri të ditur se është arrestuar një person për të cilin dyshohet se ka shkaktuar zjarrin në të cilin u dogjën 5 shtëpi dhe u evakuua e tërë lagjja.

Zyrtarët thonë se 32-vjeçari Brandon N. McGlover ka shkaktuar më shumë se një zjarr në rajonin e Revrside.

Prandaj, është dhënë urdhri për evakuimin e rreth 12 mijë personave. Mediat lokale thonë se për shuarjen e zjarrit, i cili ka përfshirë rreth 19 kilometra katrorë, janë angazhuar rreth 500 zjarrfikës. Po ashtu njoftojnë se stuhia e zjarrit akoma nuk është vënë nën kontroll.

Gjithashtu si pasojë e zjarreve është mbyllur dhe Parku Kombëtar Yosemite.

Zjarret që kishin kapluar Lake County në vitin 2015 morën katër jetë njerëzish dhe dëmtuan rreth 2.000 objekte banimi. aa

Pompeo: Çdo ndërhyrje e Rusisë do të ketë pasoja

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se personalisht u ka deklaruar zyrtarëve më të lartë rusë se çdo ndërhyrje në zgjedhjet e SHBA apo në procesin demokratik amerikan do të shoqërohet me “pasoja të rënda”, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë njoftoi se takimi i dytë Trump Putin është shtyrë për në vitin 2019.

Zoti Pompeo u tha të mërkurën anëtarëve skeptikë të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë se ai e kishte bërë paralajmërimin të qartë ndaj Rusisë në takime dhe biseda të shumta.

Ai e bëri komentin në përgjigje të pyetjeve konkrete në lidhje me hollësitë e takimit kokë më kokë të Presidentit Donald Trump me udhëheqësin rus Vladimir Putin javën e kaluar në Finlandë.

Si anëtarët republikanë edhe ata demokratë të komisionit kërkuan nga zoti Pompeo hollësi rreth takimit të nivelit të lartë, për të cilin Shtëpia e Bardhë ka ofruar vetëm deklarata të paqarta.

Kryetari republikan i komisionit, Bob Corker e hapi seancën duke thënë se Pompeo do të fliste përpara senatorëve që kanë “dyshime serioze” ndaj Presidentit Trump dhe politikës së tij të jashtme.

Sekretari Pompeo tha po të mërkurën se SHBA nuk ka ndërmend të njohë aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe nuk do të heqë sanksionet ekonomike kundër Moskës derisa Krimeja të jetë kthyer nën kontrollin e Ukrainës.

Ai tha se me pushtimin e Krimesë rusishtfolëse, Moska “u përpoq të minojë një parim ndërkombëtar bazë të mbështetur nga shtetet demokratike, sipas të cilit asnjë vend nuk mund të ndryshojë kufijtë e një tjetri me forcë”.

Diplomati më i lartë i Shteteve të Bashkuara shtoi: “Ndërsa shtetet demokratike përpiqen të ndërtojnë një botë të lirë, të drejtë dhe të begatë, ne duhet ta mbështesim angazhimin tonë ndaj parimit ndërkombëtar të barazisë sovrane dhe të respektojmë integritetin territorial të shteteve të tjera. Rusia, me veprimet e saj, veproi në një mënyrë të padenjë për një vend të madh dhe zgjodhi të izolojë veten nga bashkësia ndërkombëtare”.

Ndërkohë Shtëpia e Bardhë njoftoi se takimi i dytë Trump Putin është shtyrë dhe nuk do të mbahet përpara vitit 2019.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton njoftoi se Presidenti Trump dëshiron të presë derisa të përfundojë hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Volker: “Asnjë dhuratë për Rusinë në kurriz të Ukrainës”

Kryenegociatori amerikan për Ukrainën rikonfirmoi garancitë e dhëna nga Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë se Presidenti Donald Trump nuk ka arritur ndonjë marrëveshje për Ukraininën gjatë takimit privat prej dy orësh me homologun rus në Helsinki të Finlandës.

Presidenti rus Vladimir Putin tha të mërkurën në një takim me diplomatët në Moskë se ai dhe zoti Trump diskutuan mundësinë e një referendumi të mbikqyrur nga bashkësia ndërkombëtare për rajonet seperatiste pro-ruse të Ukrainës lindore. Pohimi në fjalë u përsërit më vonë nga ambasadorit i Kremlinit në Shtetet e Bashkuara.

((https://www.bloomberg.com/news/articles/2018-07-19/putin-said-to-have-made-trump-a-new-offer-on-ukraine-at-summit ))

Në një intervistë ekskluzive me Myroslava Gongadze, shefe e shërbimit ukrainas të Zërit të Amerikës, Kurt Volker, përfaqësues i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për negociatat në Ukrainë, tha se komentet e Kremlinit rreth referendumit nuk ishin vetëm çorientuese, por edhe të pambështetura.

“Nuk pa patur përpjekje drejt njohjes së aneksimit të Krimesë nga Rusia. Nuk ka mbështetje për një referendum. Asnjë lëvizje ndaj pozicionit të Rusisë për një forcë mbrojtëse për vëzhguesit e OSBE, që do ta ndanin në mënyrë efektive vendin”,tha zoti Volker duke iu referuar propozimit të debatueshëm të Moskës në Kombet e Bashkuara në shtator të vitit 2017.

(( https://www.euractiv.com/section/europe-s-east/news/russia-asks-un-to-set-up-mission-for-east-ukraine/ ))

Referendumet nuk janë pjesë e marrëveshjes së Minskut të vitit 2015, që synon t’i janë fund konfliktit, të sigurojë një armëpushim dhe hapë rrugën për zgjedhje rajonale, tha zoti Volker. Çdo votim i drejtpërdrejtë për shkëputjen nga Kievi, tha ai, nuk do të kishte korrnizën e nevojshme ligjore.

“Pra, shumë gjëra për të cilat shqetësoheshin njerëzit apo kishin parashikuar se mund të ndodhnin (në Helsinki), nuk ndodhën. Prandaj nuk mendoj se ka ndonjë bazë reale për shqetësim”, tha ai duke vënë në dukje se administrata ka vazhduar mbajtjen e sanksioneve ndaj Rusisë në bashkëpunim me aleatët evropianë dhe miratimin e shitjes së armëve për Kievin.

Pentagoni, shtoi zoti Volker, kohët e fundit ka shpalosur planet për një paketë të re ushtarake financimi për vendin e pushtuar të Evropës Lindore.

“Më lejoni të them këtë, se në të gjitha çështjet që ukrainasit i cilësojnë të rendësishme, asgjë nuk është premtuar”, tha ai. “Asnjë dhuratë për Rusinë në kurriz të Ukrainës.”

Komentet e zotit Volker mbështeten reagimet e para nga Garrett Marquis,zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare amerikane, i cili tha se Shtëpia e Bardhë nuk po “shqyrton” mbështetjen për referendum në Ukrainën lindore, dhe një deklerarë nga zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert, e cila tha se një referendum në Ukrainën lindore “nuk do të kishte legjitimitet”.

Komentet nga tre zyrtarët e lartë amerikanë vijnë pas spekulimeve disa ditore rreth atyre që u diskutuan gjatë një takimi të veçantë kokë më kokë mes Presidentit Trump dhe homologut rus Vladimir Putin në prezencë vetëm të përkthyesve.

Që nga kthimi nga Helsinki, Presidenti Trump ka vazhduar të mbrojë takimin, kryesisht një moment kyç kur ai u pyet rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016 ndërsa përbri tij qëndronte udhëheqësi rus.

(( https://www.voanews.com/a/trump-defends-putin-summit-as-poll-shows-high-disapproval/4495141.html ))

Konferenca e shtypit Trump-Putin, si u shmang një shkëmbim kyç?

Një shkëmbim kyç në konferencën e përbashkët të shtypit të javës së kaluar mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin, nga ana e dokumentimit zyrtar as Uashington as në Moskë

Ndërsa qëndronin pranë njëri-tjetrit pas takimit të tyre të lartë në Helsinki, presidentët Trump dhe Putin iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve amerikanë dhe rusë, ku një nga pyetjet më të rëndësishme u shtrua nga gazetari i agjencisë së lajmeve Reuters, Jeff Mason, lidhur me çështjen e debatueshme nëse Putini donte që Trump t’i fitonte zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe nëse ai kishte ndërhyrë për ta ndihmuar zotin Trump që të arrinte në Shtëpinë e Bardhë.

Gazetari amerikan i bëri këtë pyetje udhëheqësit rus, “President Putin, a keni dëshiruar që Presidenti Trump të fitonte zgjedhjet dhe a keni urdhëruar një nga zyrtarët tuaj që ta ndihmonte atë në këtë përpjekje?”

Putin u përgjigj: “Po, e bëra. Po, e bëra sepse ai foli për normalizimin e marrëdhënieve SHBA-Rusi”.

Por Kremlini e ka përjashtuar të gjithë shkëmbimin nga transkripti i konferencës së shtypit dhe Shtëpia e Bardhë eliminoi pjesën e parë kyçe të pyetjes së gazetarit Mason, nëse Putin donte që Trump të fitonte kundër rivales së tij demokrate, Hillary Clinton.

Presidenti Trump me ngurrim e ka pranuar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, por ai gjithashtu e ka quajtur atë një “mashtrim të madh”. Ai ka hedhur poshtë me forcë çdo akuzë se fushata e tij kishte bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me Rusinë, çështje e cila është duke u hetuar nga prokurori i posaçëm Robert Mueller. Prokurori Mueller është duke hetuar edhe çështjen nëse Trump ka penguar drejtësinë, duke u përpjekur të shmangte hetimin.

Të martën, Presidenti Trump tha, pa ofruar asnjë provë, se Rusia po ndërhyn në zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit për Kongres, që do të zhvillohen në nëntor, por për të ndihmuar ligjvënësit demokratë të opozitës, e jo kandidatët republikanë që mbështet ai.

Chicago, “Porta e Qiellit” tërheq turistë të shumtë

CHICAGO – Qytetin amerikan Chicago vitin e kaluar e kanë vizituar 55.2 milionë turistë, të cilët interesim të madh kanë treguar për “Portën e Qiellit”.

Kjo skulpturë e bërë nga çeliku i pandryshkshëm në vitin 2006, peshon rreth 110 ton. Faqja e internetit për turizëm “TripAdvisor” e radhiti atë midis dhjetë simboleve turistike më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vitin 2014.

Skulptura e projektuar nga skulptori indiano-britanik, Anish Kapoor njihet gjithashtu edhe si “The Bean” për shkak të dukjes së saj. aa

Presidenti Trump dhe avokati i tij flasin për një pagesë në një inçizim sekret

Presidenti Donald Trump reagoi pasi rrjetet televizive amerikane transmetuan një inçizim të martën, ku ai dhe ish-avokati i tij, Michael Cohen diskutojnë një pagesë të mundshme për të drejtat e historisë së një modeleje për një marrëdhënie që thuhet se ajo ka pasur me zotit Trump.

Zoti Cohen e kishte regjistruar fshehtas bisedën në shtator 2016, kur zoti Trump po kandidonte për postin e presidentit. Avokati i zotit Cohen, Lanny Davis, ia vuri në dispozicion inçizimin CNN-it për transmetim.

Presidenti Trump komentoi në Twitter, duke thënë “Çfarë lloj avokati do të inçizonte një klient?” dhe duke sugjeruar se inçizimi ishte ndërprerë, aty ku ai mund të ishte duke thënë gjëra pozitive.

“Kam dëgjuar se klientë të tjerë dhe shumë gazetarë janë inçizuar. A mund të jetë e vërtetë? Sa keq”, shkruante ai.

Zoti Trump ka mohuar vazhdimisht se ka pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me modelen Karen McDougal, që ia shiti historinë e saj, kompanisë botuese të tabloideve, American Media për 150 mijë dollarë. Asnjë artikull për marrëdhënien e mundshme nuk u pagua.

Në inçizimin e shkurtër, zoti Cohen flet për nevojën e “hapjes së një kompanie për transferimin e gjithë informacionit për mikun tonë, David”, thotë ai dhe ka gjasa që të jetë duke iu referuar mikut të zotit Trump dhe Presidentit të kompanisë “American Media”, David Pecker.

Në një moment zoti Trump pyet se sa duhet paguar: “150 (mijë)”?

Ai përmend gjithashtu një pagesë me para në dorë, por nuk dëgjohet qartë nëse po sugjeron që të paguhet me para në dorë apo jo.

Në prill, FBI-ja bastisi zyrën dhe shtëpinë e zotit Cohen dhe konfiskoi disa inçizime që iu dërguar prokurorëve federalë javën e kaluar.

Presidenti Trump ka shprehur pakënaqësinë e tij me hetimin e zotit Cohen.

Ai shkruante në Twitter javën e kaluar: “E paimagjinueshme që qeveria të hyjë me force në zyrën e një avokati (herët në mëngjes) – pothuajse e padëgjuar. Edhe më e paimagjinueshme se si një avokat inçizon një klient, e padëgjuar dhe ndoshta e paligjshme. Lajmi i mirë është se presidenti juaj i preferuar nuk ka bërë asnjë gabim”.

Shtete të ndryshme kanë rregulla të ndryshme se kur është e ligjshme të inçizosh një bisedë që në thelb kërkojnë ose njërin ose të dy bashkëbiseduesit, që të japin miratimin e tyre. Në shtetin e Nju Jorkut, ku u bë biseda vetëm njëra palë duhet të japë miratimin, kështuqë Cohen ishte i lejuar ligjërisht që të inçizonte bisedën.

Zoti Cohen i pagoi 130 mijë dollarë për të mos folur aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, më pak se dy javë para zgjedhjeve të vitit 2016 , lidhur me një marrëdhënie jashtëmartesore që ajo thotë se pati një natë me zotin Trump në vitin 2006, pak pasi bashkëshortja e zotit Trump, Melania lindi djalin e tyre, Barron.

Muajt e fundit, zoti Cohen ka thënë se e bëri pagesën me iniciativën e vet. Presidenti Trump ka mohuar që të kishte një marrëdhënie me zonjën Daniels dhe ka thënë se pagesa u bë për të ndalur akuza të rreme nga ana e saj.

Kongresi: “Putini nuk është i mirëseardhur në Uashington”

Liderët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke cituar ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane, thonë se nuk do të ftojnë presidentin rus Vladimir Putin për t’ju adresuar Kongresit nëse pranon që të organizohet samiti i radhës në mes dy presidentëve në Uashington.

Më 24 korrik, kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan dhe lideri i Senatit Mitch McConnell, refuzuan të kenë qasje miqësore ndaj Putinit dhe shprehën mospajtim për përkrahjen e Trumpit ndaj Putinit pas samitit në Helsinki.

Ryan dhe McConnell thanë se nuk kanë plane t’i kërkojnë Putinit t’i adresohet Kongresit – nderim që u bëhet liderëve të huaj.

“Ne natyrisht nuk do ta ftojmë atë për një fjalim të përbashkët”, tha Ryan. “Këtë e rezervojmë për aleatët”.

“E kemi bërë të qartë se Putin nuk është i mirëseardhur në Capitol”, tha McConnell.

Këto komente vijnë pas deklarimeve të Putinit që tha se është duke u menduar nëse duhet të zhvillojë një takim të ri me Trumpin.

Trumpi thotë se sërish mund të arrihet marrëveshje e re bërthamore me Iranin

Dy ditë pas polemikave e “kërcënimeve” të dyanshme nga ana e presidentit iranian Hassan Rouhani dhe presidentit amerikan Donald Trump, ky i fundit thotë se është i gatshëm për të negociuar një marrëveshje të re bërthamore me Teheranin.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë, por jemi të gatshëm për një marrëveshje të re, jo marrëveshjen që është arritur nga administrata e kaluar, që ishte një katastrofë”, tha Trumpi gjatë një fjalimi në Missouri.

Trumpi, disa ditë më parë kishte kërcënuar Teheranin me “pasoja të cilat janë vuajtur shumë pak në histori” pas kërcënimeve nga presidenti iranian ndaj Trumpit i cili i tha “të mos luajë me bishtin e luanit”.

Retorika e ashpër në mes dy presidentëve është rikujtim i kërcënimeve në mes të presidentit Trump dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, vitin e kaluar. Pas përplasjeve të dyja palët negociuan një marrëveshje të re në një samit gjatë pranverës.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis, ka refuzuar të komentojë kërcënimet e Trumpit ndaj Teheranit, por ka ngritur zërin ndaj veprimeve ttë Iranit në Lindjen e Mesme, duke përfshirë përkrahjen ndaj presidentit Bashar al-Assad.

Trump: Rusia do të ndihmojë demokratët në zgjedhjet e ardhshme

Presidenti i SHBA, Donald Trump, tha të martën se Rusia “do të përpiqet shumë për të ndihmuar demokratët” në zgjedhjet e nëntorit për Kongresin, kundër kandidatëve republikanë të favorizuar prej tij.

Zoti Trump shkruante në Twitter se ai është “shumë i shqetësuar se Rusia do të luftojë fort për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme”.

Presidenti shkruante se bazuar në faktin që asnjë President nuk ka qenë më i ashpër ndaj Rusisë se ai, “ata do të përpiqen shumë në favor të demokratëve. Ata në asnjë mënyrë nuk e duan Trumpin!”

Deklarimet e Presidentit Trump se Moska do të favorizonte demokratët në garat e 6 nëntorit për Kongresin, bie në kundërshtim me përfundimet e komunitetit të zbulimit amerikan se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të 2016-s për të ndihmuar kandidatin Trump të fitonte Shtëpinë e Bardhë.

Në samitin e javës së shkuar në Helsinki me Presidentin rus Vladimir Putin, Presidenti Trump duket se mbështeti mohimin e udhëheqësit rus që Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhje dhe ia kundërvuri deklaratën e Putinit përfundimeve të zbulimit amerikan që thotë se Moska kishte ndërhyrë.

Pasi u kthye në Uashington, zoti Trump tha se ai mbështeste zyrtarët e tij të inteligjencës dhe përfundimin e tyre, shpesh duke i shtuar kësaj deklaratën e tij të zakonshme se fushata e tij nuk bashkëpunoi në mënyrë të fshehtë me rusët dhe se ndërhyrja ruse nuk pati efekt në rezultatin e zgjedhjeve.

Të dielën, megjithatë ai fajësoi ish-Presidentin Barak Obama për mos ndalimin e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje, duke e quajtur këtë një sajesë të madhe.

Zyrtarët më të lartë amerikanë të zbulimit thonë se Rusia po përpiqet përsëri të ndërhyjë në procesin zgjedhor amerikan në nëntor edhe pse zyrtarët e administratës Trump kanë premtuar se do të përpiqen ta ndalojnë këtë.

Republikanët kanë tani shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, por analistët politikë thonë se demokratët mund të marrin kontrollin e njërës ose të dyja dhomave në nëntor. Demokratëve u duhen dy vende për të patur shumicën e Senatit dhe 23 për Dhomën e Përfaqësuesve kur Kongresi i ri të fillojë punën në janar.

Edhe me kontrollin që kanë tani, republikanët kanë pasur vështirësi në miratimin e agjendës legjislative të Presidentit Trump dhe me gjasë do ta kenë edhe më të vështirë nëse demokratët fitojnë më shumë vota.

Nëse demokratët marrin kontrollin e Dhomës, kundërshtarët e Presidentit Trump mund të fillojnë hetime të shumta për administratën e tij dhe të hapin seanca dëgjimore për ta hequr atë nga Shtëpia e Bardhë.

Prokurori i posaçëm Robert Mueller po vazhdon hetimin e tij për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-s, duke hetuar gjithashtu nëse fushata Trump ka bashkëpunuar fshehtazi me Moskën.

Zoti Mueller ngriti akuza së fundmi ndaj 12 zyrtarëve të inteligjencës ushtarake ruse për piraterimin e kompjuterave të komitetit demokrat kombëtar.

Përdorimi i internetit nga agjentët rusë

Në epokën para Internetit, spiunët përballeshin me më shumë sfida se tani në përpjekjet e tyre për të depërtuar në qarqet politike perëndimore, për të mbledhur informacione, për të identifikuar rekrutë potencialë, për të marrë ndihmën e simpatizantëve dhe për të ngritur operacione aktive, si ndërhyrja në zgjedhjet e një vendi të huaj.

Tani ata përfitojnë nga mediat sociale si Facebook dhe LinkedIn për të zgjeruar kontaktet e tyre, thonë ish-zyrtarët dhe zyrtarët e shërbimeve inteligjente amerikane dhe britanike.

Qeveritë perëndimore akuzojnë shërbimet e zbulimit rus për shfrytëzim të gjerë për qëllime propaganduese të platformave të mediave sociale, ku ata mund të përhapin “lajme të rreme”, acarojnë grindjet politike në shtetet kundërshtare dhe ndërmarrin fushata të ndikimit në përpjekje për të ndryshuar opinionin publik perëndimor. Por spiunët rusë, në krahasim me trollët (përdoruesit e internetit që bëjnë komente për të avancuar synimet e tyre), janë duke përdorur faqet e rrjeteve në mënyra shumë më të sofistikuara për të depërtuar në qarqet politike perëndimore.

Maria Butina, që dyshohet se është spiune ruse, të cilën prokurorët amerikanë besojnë se e kanë demaskuar, është një mësim se si mediat sociale mund të ndihmojnë operacionet e fshehta të ndikimit, jo vetëm në platforma propaganduese që synojnë të lëkundin ose të shtrembërojnë opinionin publik, tha një zyrtar amerikan i kundër-zbulimit i cili kërkoi që emri i tij të mos identifikohej në këtë artikull.

Në epokën para Internet-it, agjentët rusë kishin për objektiv organizatat dhe ambasadat të cilat organizonin konferenca, diskutime dhe prezantonin raporte dhe analiza mbi çështje të ndryshme politike, ekonomike etj. Por tani ata mund të kombinojnë praninë fizike me atë virtuale. “Butina po përdorte metodën e vjetër, duke u paraqitur në ngjarje politike, duke vendosur kontakte dhe pastaj duke u miqësuar me ta në Facebook ose LinkedIn dhe anasjelltas. Platformat e mediave sociale janë të dobishme në krijimin e rrjeteve të miqësisë,” shton ai.

Butina, 29 vjeç, u akuzua javën e kaluar se ka vepruar si agjente për Kremlinin në Shtetet e Bashkuara. Departamenti i Drejtësisë pohon se ajo ishte në kontakt të rregullt me shërbimet e inteligjencës ruse. Ajo është akuzuar për komplot për të vepruar në emër të qeverisë ruse dhe mos regjistrim si agjente e huaj. Ajo nuk është akuzuar zyrtarisht për spiunazh, pasi ka shumë të ngjarë që roli i saj nuk ishte vjedhja e sekreteve shtetërore dhe ushtarake, por krijimi i kontakteve në qarqet politike amerikane në mënyrë që ato t’i shërbenin qëllimeve të politikës së jashtme të Rusisë, duke përfshirë thellimin e ndarjeve partiake në vendet perëndimore dhe krijimin e rrugëve për ndikim.

Prokurorët federalë akuzojnë Butinën për komplot me dy shtetas amerikanë, me njërin prej të cilëve ajo ka bashkëjetuar, dhe një zyrtar të lartë rus për të ndikuar në politikën amerikane ndaj Rusisë duke infiltruar grupin që promovon të drejtën e armëmbajtjes, Shoqatën Kombëtare të Armëve dhe grupe të tjera konservatore me ndikim në administratën e Presidentit Trump.

Prokurorët amerikanë pohojnë në një memorandum të dorëzuar në gjykatë në mbështetje të kërkesës për ta mbajtur në paraburgim Butinën, se aktivistja ruse për të drejtat e armëve “ka ruajtur informacionet e kontaktit të individëve të identifikuar si punonjës të FSB-së (shërbimit rus të zbulimit) ruse”. Përveç kësaj, prokurorët pretendojnë se FBI-ja kishte vëzhguar Butinën kur ajo ishte takuar për darkë private me një diplomat rus, të cilin qeveria amerikane e dëboi në mars të vitit 2018 për dyshimin se ishte oficer rus i kundërzbulimit.

Në dokumentet gjyqësore të dorëzuara nga prokurorët amerikanë javën e kaluar nuk është e qartë nëse operacioni i saj ishte nisur nga Shërbimi Federal rus i Sigurisë, FSB-ja, apo nga miku i saj, Aleksandër Torshin, një bankier rus, si një mënyrë për të promovuar veten brenda administratës së Kremlinit, me një përfshirje të mëvonshme të FSB-së.

Një ish oficer britanik i kundërzbulimit thotë se ky është një dallim i pa rëndësishëm në administratën e Kremlinit të mbushur me të ashtuquajturit policë siloviki, oficerë të inteligjencës ruse, të cilët kanë lënë zyrtarisht agjencitë e sigurisë por që ende konsiderohen si të aktivizuar nga zyrtarët e inteligjencës perëndimore. Shumë prej tyre mbajnë poste të larta në qeverinë e udhëheqësit rus Vladimir Putin, i cili vetë dikur ka qenë oficer i KGB-së.

Ndër teknikat më tradicionale që pohohet se Butina përdorte është edhe ofrimi i marrëdhënieve seksuale me politikanët dhe lobistët e Uashingtonit, në një rast, sipas prokurorëve amerikanë, në përpjekje për të siguruar një vend pune në një organizatë amerikane me interes të veçantë për të. Ajo jetoi dy herë me një operativ politik republikan të moshës së saj. Sipas mediave amerikane bëhet fjalë për lobistin Paul Erickson. Megjithatë, ajo hoqi dorë nga bashkëjetesa, dhe sipas prokurorëve ajo e trajtoi marrëdhënien “thjesht si një aspekt të domosdoshëm të aktiviteteve të saj”.

Butina nuk ka pranuar fajësinë. Avokati i saj, Robert Driscoll, thotë se ajo thjeshtë po përpiqej të ndihmonte në përmirësimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë së Vladimir Putinit. Dhe ai e mohon se ajo është spiune, duke i thënë kanalit televiziv CNN të premten se shumica e veprimeve të saj “është marrë tërësisht jashtë kontekstit”.

Butina, e cila erdhi në Shtetet e Bashkuara në 2014 me një vizë studentore, krijoi një grup për promovimin e armëmbajtjes në Rusi të quajtur “E drejta për armëmbajtje”. Sipas prokurorëve amerikanë, krijimi i këtij grupi ishte planifikuar me durim nga bankieri Torshin për të infiltruar Shoqatën Amerikane të Armëve dhe grupe të tjera konservatore me synim përfundimtar depërtimin në qarqet politike amerikane.

Gazetari Michael Isikoff i agjencisë Yahoo News ka studiuar metodat e përdorura nga Butina. Ai së bashku me autorin David Corn kanë shkruar librin “Ruleta ruse: Lufta e Putinit në Amerikë dhe zgjedhja e Donald Trump-it” dhe ka ndjekur nga afër aktivitetet e Butinës.

Isikoff thotë se Butina dhe Torshini po bënin përpjekje për të ndikuar organizatat politike konservatore amerikane. Në një intervistë për radion publike amerikane, NPR ai tha: “Siç e kemi përmendur edhe në libër, një lobist republikan tregon se si iu afrua Butinës në një konferencë të grupit Konferenca e Veprimit Politik Konservator, CPAC, dhe ishte befasuar nga mënyra se si ajo ishte e kujdesshme, se si ajo donte të qëndronte në kontakt me të dhe donte të bëhej mike e tij në Facebook. Ky është një zotëri disi i moshuar, i pastër, nuk ishte mësuar me këtë vëmendje nga një grua e bukur ruse”.

Përdorimi i platformave të mediave sociale mund të shoqërohet me rreziqe. Nëse jeni shumë aktiv në Facebook, ju mund të rrisni mundësinë e tërheqjes së vëmendjes së agjentëve të kundërzbulimit dhe të gazetarëve. Në një shkëmbim elektronik me Zërin e Amerikës, Isikoff vuri në dukje se ai u bë mik i Butinës në Facebook në mënyrë që të mund ta kontaktonte atë për një intervistë.

Një zyrtar amerikan i kundërzbulimit thotë se Butina tërhoqi vëmendjen e të tjerëve si me praninë e saj në mediat sociale ashtu edhe me praninë e saj fizike. Ajo madje u thirr për të dëshmuar më parë këtë vit nga Komisioni Senatit për Inteligjencën, ku, sipas kanalit televiziv CNN, ajo zbuloi se aktivizmi i saj për armëmbajtjen kishte marrë fonde nga miliarderi rus Konstantin Nikolaev, një oligark tjetër i lidhur me Kremlinin.

Rasti i Butinës po hedh më shumë dritë mbi fushatën e sofistikuar dhe shkatërruese të ndikimit rus në Shtetet e Bashkuara dhe në Perëndim, dhe se si Kremlini ka vënë në shënjestër të dyja anët e spektrit politik, thonë zyrtarët perëndimorë. Në kohët e Bashkimit Sovjetik, Moska përqëndrohej në partitë e ekstremit të majtë dhe në grupet e çarmatimit bërthamor, por siç theksohet në raportin e vitit 2014 të organizatës Political Capital me seli në Budapest, Kremlini në vitet e fundit është bërë më i sofistikuar, duke vënë në shënjestër si lëvizjet populiste të spektrit të djathtë ashtu edhe atij të majtë në vendet perëndimore.

Natyra politikisht dinake e fushatave të zbulimit dhe ndikimit rus u shfaq në mënyrë dramatike gjatë kremtimit të 10 vjetorit të transmetuesit RT (Russia Today ose Rusia Sot) të financuar nga Kremlini në dhjetor të vitit 2015. Në këtë aktivitet mori pjesë Jill Stein, kryetarja e Partisë së Gjelbër në Shtetet e Bashkuara. Në këtë ceremoni, në të njejtën tavolinë ku ishte ulur Presidenti rus Vladimir Putin, ishte ulur edhe gjenerali amerikan Mike Flynn, i cili shërbeu shkurtimisht si këshilltar i sigurisë kombëtare për Presidentin Donald Trump. Më vonë ndaj Gjeneralit Flynn u ngritën akuza se kishte gënjyer FBI-në për kontaktet që kishte me zyrtarët rusë gjatë fazës së tranzicionit presidencial të zotit Trump.


Send this to a friend