VOAL

VOAL

Presidenti Trump thellon grindjen me bashkëshortin e ndihmëses

Presidenti i SHBA Donald Trump shkallëzoi të mërkurën grindjen e tij me bashkëshortin e një prej ndihmëseve të tij kryesore, Kellyanne Conway, duke e quajtur të shoqin e saj George Conway “një dështak i madh dhe bashkëshort prej ferri!”

Presidenti e sulmoi zotin George Conway për të dytën ditë me radhë, pas komenteve të avokatit republikan që është edhe kritik i presidentit, i cili thotë se Presidenti Trump po shfaqet gjithnjë e më i dobët mendërisht.

Brenda 20 minutash, zoti Conway u përgjigj me një koment therës në Twitter, duke iu drejtuar presidentit me fjalët: “Ju dukeni i vendosur për të provuar argumentin tim. Aq më mirë për ju!” duke shtuar “#NarcissisticPersonalityDisorder. (Çrregullimi narcisistik i personalitetit).”

Në një tjetër koment në Twitter, zoti Conway shkruante: “Ju. Jeni. I çmendur”.

Zoti Conway, i cili dikur ka përfaqësuar zotin Trump në transaksione ligjore, tha të martën se një vit më parë ai vendosi të mos e pranonte pozitën që i kishte ofruar presidenti, si kreu i sektorit civil në Departamentin e Drejtësisë, pasi Presidenti Trump sulmoi zyrtarët e lartë të agjencisë dhe shkarkoi zotin James Comey, në atë kohë drejtor i Byrosë Federale të Hetimeve.

Zoti Conway është bërë një kritik i shpeshtë i presidentit.

Të dielën, kur Presidenti Trump shfreu zemërimin me një breshëri komentesh në Twitter, zoti Conway citoi Manualin diagnostik të Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë duke pretenduar se presidenti mishëron “një sens madhështie dhe rëndësie për vetveten”, është “i preokupuar me fantazitë e suksesit, pushtetit dhe shkëlqimit të pakufizuar” dhe shfaq shenja të “nervozizmit dhe agresivitetit”.

“Gjendja e tij po keqësohet”, shkruante zoti Conway.

Bashkëshortja e tij, e cila shfaqet shpesh në programet televizive të lajmeve duke mbrojtur Presidentin Trump, tashmë është mësuar me kritikat dhe provokimet e të shoqit ndaj presidentit.

Ajo hodhi poshtë vlerësimin e të shoqit për stabilititetin mendor të Presidentit Trump.

“Jo, nuk ndaj shqetësime të tilla,” tha ajo të hënën.

George Conway, 55 vjeç dhe Kellyanne Conway, 52, janë të martuar që nga vitin 2001 dhe kanë katër fëmijë.

Zoti Conway i tha një intervistuesi vitin e kaluar se ai e di që gruaja e tij nuk i pëlqen komentet e tij therëse ndaj shefit të saj, presidentit.

“Por unë e kam thënë: nuk më pëlqen kjo administratë, kështu që jemi barabar”, saktësoi ai.

Sulmet e presidentit Trump kundër të ndjerit McCain shkaktojnë reagime

Senatori republikan Johnny Isakson i shtetit Georgia, kritikoi ashpër Presidentin Donald Trump të mërkurën për sulmet e tij të përsëritura ndaj senatorit të ndierë John McCain, dikur kandidat republikan për president dhe i burgosur i Vietnamit, i cili vdiq nga kanceri i trurit rreth shtatë muaj më parë.

Ditët e fundit, zoti Trump ka përsëritur sulmet ndaj të ndierit McCain, duke e fajësuar atë si nxitës i hetimit për Rusinë dhe si senatori që hodhi votën vendimtare, e cila bëri të dështojë përpjekja e Presidentit Trump për reformimine politikave të kujdesit shëndetësor, që ishin arritja kryesore legjislative e paraardhësit të tij Barak Obama.

“Kurrë nuk kam qenë tifoz i John McCain-it, dhe nuk do të jem kurrë,” u tha zoti Trump gazetarëve të martën.

Disa ligjvënës e kanë kritikuar Presidentin Trump për aludimet e tij kundër zotit McCain, por askush më tepër se senatori Isakson, i cili tha se fakti që presidenti Trump vë në shënjestër të ndjerin McCain “më bën të çmendem”.

“Vendi meriton më shumë, familja McCain meriton më shumë. Nuk më intereson nëse ai është president i Shteteve të Bashkuara, zotëron të gjitha pasuritë e paluajtshme në Nju Jork ose po ndërton sistemin më të madh të imigracionit në botë”, tha senatori Isakson në një fjalim. “Asgjë nuk është më e rëndësishme se integriteti i vendit dhe ata që luftuan dhe rrezikuan jetën për të gjithë ne,” tha ai.

Senatori ngriti shqetësime për mesazhin që Presidenti Trump u dërgon trupave amerikane duke vënë në shënjestër të ndjerin McCain, një pilot i marinës i cili u rrëzua gjatë një bombardimi në Luftën e Vietnamit, pastaj u kap dhe u mbajt si rob lufte në Hanoi për 5 vjet e gjysmë.

Udhëheqësi demokrat i senatit Chuck Schumer, ish-kundërshtar politik i zotit McCainit, ka kërkuar që njërit prej komplekseve të zyrave të Senatit t’i vihet emri i “heroit amerikan, Senatorit Xhon Mekein”. Ndërtesa ndodhet në një rrugë të Uashingtonit pranë Kapitoli, ku John McCain ishte ligjvënës për 35 vjet me radhë.

Pas sulmeve të Presidentit Trump në Twitter të shtunën, vajza e të ndjerit McCain, Meghan McCain, shkruante: “Askush nuk do t’ju dojë ndonjëherë ashtu si e donin babanë tim … Do të desha të kisha kaluar më shumë të shtuna me të. Ndoshta duhet ta kaloni të shtunën me familjen tuaj se sa të komentoni në Twitter, duke u fiksuar tek e shtuna ime.”

Prej kohësh Presidenti Trump ka shprehur mospëlqimin e tij për senatorin e ndjerë McCain.

Gjatë fushatës së tij presidenciale në vitin 2015, zoti Trump kritikoi statusin e zotit McCain si ish-rob lufte, duke thënë: “Ai nuk është hero lufte, ai është hero lufte thjesht sepse u kap rob, mua më pëlqejnë njerëzit që nuk kapen”.

Trump: Brazili mund të jetë aleat i NATO-s

Presidenti Trump priti në Shtëpinë e Bardhë presidentin e Brazilit, Jair Bolsonaro.

Duke folur për raportet ndërmjet SHBA-së dhe Brazilit, presidenti Trump tha se planifikon të përcaktojë Brazilin si një aleat kryesor nga vendet joanëtare të NATO-s.

“Siç i thashë presidentit Bolsonaro, unë gjithashtu kam për qëllim të përcaktojë Bazilin si aleat të madh nga vendet joanëtare të NATO-a, apo ndoshta edhe aleat të NATO-s. Më duhet të flasë me shumë njerëz. Ndoshta si aleat i NATO-s do të ishte një përparim në sigurinë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve” tha presidenti Trump.

Në konferencën për media pas këtij takimi, Presidenti Trump u pyet edhe për bisedimet tregtare me Kinën, për të cilat tha se janë duke shkuar mirë, por nuk dha më shumë detaje.

“Bisedimet me Kinën po shkojnë shumë mirë” tha presidenti Trump.

Lufta tregtare ndërmjet dy superfuqive ka tronditur tregjet globale dhe ka rritur frikën se mund të ngadalësojë ekonominë në mbarë botën.

New York, hapet struktura gjigante “The Vessel”

New York

Në metropolin amerikan New York është hapur struktura gjigante e pazakonte e emërtuar si “The Vessel”, raporton Anadolu Agency (AA).

E projektuar nga dizajnuesi Thomas Heatherwick, struktura në formën e një hualli gjendet në rajonin Hudson Yards pjesën perëndimore të Manhattanit.

Struktura, ndërtimi i së cilës filloi në vitin 2017, përfshin 157 shkallë, 2.500 shkallare dhe 80 pika lidhëse.

Struktura është ndërtuar në qendër të rajonit, ndërsa vizitorët do të kenë mundësi të ngjiten dhe të vështrojnë qytetin.

Bush: Emigrimi është bekim dhe forcë

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, George W. Bush, u tha shtetasve të rinj amerikanë në një ceremoni të natyralizimit se “emigrimi është bekim dhe forcë”, pavarësisht politikave të ndërlikuara.

Bush dhe ish-Zonja e Parë, Laura Bush, folën para 51 njerëzve nga më shumë se 20 shtete në një ceremoni në Dallas të Teksasit.

Ai i tha grupit se shpreson që “ata që janë përgjegjës në Uashington, do të qetësojnë retorikën, do të lënë politikën mënjanë dhe do t’i modernizojnë ligjet e emigrimit”.

Komentet vijnë në kohën e një debati të thellë në SHBA mbi politikat e emigrimit.

Presidenti Donald Trump është zotuar se do të ndërmarrë masa ndaj emigrimit edhe të ligjshëm, edhe të paligjshëm, duke thënë se ai do që njerëzit të migrojnë në bazë të një sistemi meritash.

Bush, republikan sikurse edhe Trumpi, ka qëndruar kryesisht jashtë debatit politik që nga përfundimi i mandatit më 2009.

Ai bëri thirrje për, siç tha, reformën e ligjeve “të vjetëruara dhe joefektive” të emigrimit dhe tha se “kufijtë nuk janë arbitrarë dhe duhet të respektohen”.

Bush u tha amerikanëve të rinj se ata po i bashkohen një “demokracie të trazuar” dhe u bëri thirrje atyre që të marrin pjesë në të dhe të votojnë.

Trump, mes tjerash, është zotuar se do të ndërtojë një mur të gjatë në kufi me Meksikën, për të ndaluar hyrjen e emigrantëve të paligjshëm në SHBA.

Sulmi në Zelandën e Re shton kritikat ndaj presidentit Trump

Shtëpia e Bardhë të dielën hodhi poshtë çdo përpjekje për ta lidhur Presidentin Donald Trump me supremacistin e bardhë të akuzuar për vrasjen e 50 personave në dy xhami të Zelandës së Re.

“Presidenti nuk është një supremacist i bardhë”, tha shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mick Mulvaney, për programin “Fox News Sunday”. “Nuk jam i sigurt se sa herë duhet ta themi. Le ta quajmë atë që ndodhi në Zelandën e Re ashtu siç është: një akt tragjik i tmerrshëm”.

Sulmuesi i dyshuar Brenton Harris Tarrant, një 28-vjeçar australian, thotë në një manifest prej 74-faqesh që e publikoi pak para se të ndodhte masakra në dy xhami në Christchurch se e shihte Trumpin si “një simbol të identitetit të bardhë të rinovuar dhe synimit të përbashkët”, por se nuk i mbështeste politikat e tij.

Kjo deklaratë rigjallëroi kritikat se presidenti Trump nuk ka dënuar me forcën e duhur nacionalizmin e bardhë.

I pyetur të premten pas incidentit në xhami nëse shihte një rritje të nacionalizmit të bardhë, presidenti Trump tha: “Nuk e besoj. Mendoj se është një grup i vogël njerëzish që kanë shumë, shumë probleme serioze”. Presidenti tha se nuk e kishte lexuar manifestin.

Shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë tha: “Nuk mendoj se është e drejtë ta portretizojmë këtë person si mbështetës të Donald Trumpit ashtu si nuk do të ishte e drejtë t’i shihnim më shumë pasazhet e tij eko-terroriste në manifest të përafërta me ato të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi apo ligjvënëses Alexandria Ocasio-Cortez”.

Presidenti Trump u sulmua gjerësisht pas një tubimi vdekjeprurës supremacist në Sharlotsvillë të Virxhinia, në vitin 2017 kur ai barazoi supremacistët e bardhë me protestuesit, duke thënë se “të dyja palët” duhet të fajësoheshin dhe se kishte “njerëz të shkëlqyer” në të dy anët e protestës.

Senatorja Kirsten Gillibrand, një nga demokratët e shumtë që kërkojnë nominimin e partisë për të kundërshtuar zotin Trump në zgjedhjet e vitit 2020, tha në Twitter pas sulmit në Zelandën e Re: “Kohë pas kohe, ky president ka mbështetur dhe inkurajuar supremacistët e bardhë dhe në vend që të dënojë terroristët racistë, ai i mbron ata. Kjo nuk është aspak normale apo e pranueshme. ”

Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame: Myslimanë, mos i lini xhamitë

Washington

Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR) u ka bërë thirrje myslimanëve që të bashkohen në unitet dhe solidaritet pas vrasjes së 49 besimtarëve në sulmet terroriste në dy xhamitë në Zelandën e Re gjatë namazit të xhumasë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Mos u frikësoni dhe mos i lini xhamitë, as sot, as kurrë”, ka thënë kryetari i CAIR, Nihad Awad para gazetarëve.

Ai rikujtoi se në SHBA ka 3000 xhami në të cilat miliona myslimanë marrin pjesë rregullisht në lutjet e së premtes.

“Ata ndjejnë frikë shumë të arsyeshme, dhe atyre disa u thonë që t’u friksësohen atyre që përhapin dhe mbështesin supremacinë e të bardhëve dhe liderëve politikë të cilët besojnë në mbizotërimin e të bardhëve”, ka thënë Awad.

Më pas i dërgoi një mesazh presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke kritikuar retorikën e tij në dy vitet e fundit ku në mënyrë eksplicite ka thënë: “Islami neve na urren”.

“Zotëri Trump, fjalët tuaja janë të rëndësishme. Vedimet tuaja janë të rëndësishme. Ato ndikojnë në jetët e njerëzve të pafajshëm këtu në shtëpi, por edhe në nivel global. Edhe ju duhet ta dënoni këtë jo vetëm si krim të urrejtjes, por edhe si sulm terrorist të supremacisë së bardhë”, ka thënë Awad.

Presidenti Trump dënon sulmet në xhami, mohon rrezikun e nacionalizmit të bardhë

Pas sulmeve vdekjeprurëse ndaj dy xhamive në Zelandën e Re, Presidenti amerikan Donald Trump ofroi ngushëllime, por mohoi se nacionalizmi i bardhë është një kërcënim në rritje. Sulmet rindezën debatin në Shtetet e Bashkuara rreth faktit nëse retorika politike kundër emigrantëve po kontribuon në rritjen e krimeve të urrejtjes.

Ishte një e premte e zymtë për amerikanët myslimanë. Besimtarët në Qendrën Islamike të Uashingtonit mbajtën zi për viktimat e sulmit me armë në xhamitë e Zelandës së Re.

“Të gjithë rrotull meje qanin. Mendoj se të gjithë ndjenë zinë kolektive për viktimat në Zelandën e Re”, thotë Suha Malik, amerikane myslimane.

Sulmi me armë në dy xhamitë e qytetit Christchurch, ndërsa mbaheshin faljet e së premtes, shkaktoi vdekje e 49 vetëve plagosje e dhjetëra të tjerëve.

Sulmuesi mendohet se është shtetas australian. Kryeministri i vendit e përshkroi të dyshuarin si një “terrorist i dhunshëm, ekstremist i krahut të djathtë”.

Shtëpia e Bardhë dënoi me forcë sulmin, duke e quajtur një “akt mizor urrejtjeje”.

“Është një gjë e tmerrshme, e turpshme dhe një akt i tmerrshëm”, tha Presidenti Trump.

Presidenti Donald Trump ofroi ndihmën e Shteteve të Bashkuara, por nuk e quajti veprimin një akt terrorist. Gjithashtu, ai nuk e shikon nacionalizmin e bardhë si një kërcënim në rritje nëpër botë.

“Vërtet nuk mendoj kështu. Mendoj se është një grup i vogël njerëzish që kanë një problem shumë, shumë serioz”, tha Presidenti Trump.

Të dhënat më të fundit të FBI-së tregojnë një rritje prej 17% të krimeve të urrejtjes në Shtetet e Bashkuara.

Kryetari i një organizate të amerikanëve myslimanë i ngarkon përgjegjësi Presidentin Trump.

“Zoti Trump, fjalët tuaja kanë rëndësi, politikat tuaja kanë rëndësi. Ato ndikojnë jetën e të pafajshmëve në vend dhe në botë”, tha Nihad Awad, drejtor ekzekutiv i organizatës “CAIR”.

Në llogarinë në mediat sociale që mendohet se i përket autorit të sulmit u shfaq edhe një manifest me ndjenja supremacie të bardhë, kundër emigrantëve dhe kundër myslimanëve.

“Ky sulm me armë është një reflektim ekstrem i rritjes së retorikës së nacionalizmit të bardhë”, thotë Jonathan Metzl, i Universitetit Vanderbilt.

Zoti Metzl mendon se retorika politike kundër emigrantëve dhe minoriteteve i ka bërë më të pranishme idetë e nacionalizmit të bardhë.

“Nuk më shqetësojnë vetëm këto komunitete në internet që kanë qenë aty prej kohësh. Është më tepër mënyra se si kjo dhunë ndaj komuniteteve cënueshme të minoriteteve dhe retorika që e nxit, janë normalizuar shumë më tepër në sferën tonë politike”, thotë zoti Metzl.

Ndërsa mbajnë zi, komunitetet myslimane në Shtetet e Bashkuara po rrisin vigjilencën e tyre. Në qytete si Nju Jorku, besimtarët mblidhen nën masa mbrojtëse të forta të policisë.

Presidenti Trump nënshkroi veton e parë të presidencës së tij

Presidenti Trump nënshkroi të premten veton e parë të presidencës së tij, duke hedhur poshtë legjislacionin që i kundërvihej deklaratës tij për një emergjencë kombëtare për të financuar një mur përgjatë kufirit jugor.

Projektligji që bllokonte deklaratën për emergjencën kombëtare në kufi siguroi mbështetje të rëndësishme të republikanëve në Kongres.

“Sot unë po i vë veton kësaj rezolute”, u tha Presidenti Trump gazetarëve në Zyrën Ovale. “Kongresi është i lirë të miratojë rezolutën e tij por edhe unë kam për detyrë t’i vë veton.”

Presidenti e quajti rezolutën e Kongresit “të rrezikshme” dhe “jo të matur”.

Me presidentin Trump ishin Zëvendëspresidenti Mike Pence, Prokurori i Përgjithshëm William P. Barr dhe Kirstjen Nielsen, sekretare e sigurimit të vendit. Zoti Barr tha se urdhri i emergjenës kombëtare i presidentit ishte “i autorizuar në mënyrë të qartë sipas ligjit” dhe “i bazuar fort në ligj”.

Vetoja e presidentit, e cila pritej, e kthen legjislacionin përsëri në Kongres, i cili ka shumë të ngjarë të mos i ketë votat e mjaftueshme për ta anuluar dhe kjo do të thotë se deklarata e zotit Trump për emergjencën kombëtare do të mbetej në fuqi.

Presidenti ka insistuar prej kohësh se në kufirin me Meksikën ka një krizë sigurie dhe humanitare.

Demokratët thonë se të dhënat e qeverisë tregojnë se nuk ka një vërshim të emigrantëve me të kaluar kriminale që hyjnë në vend. Këtë pikëpamje e ndajnë edhe disa republikanë në Kongres.

Boeing nxjerr nga përdorimi avionët 737 Max

Kompania amerikane Boeing tha se do t’i pezullojë fluturimet e të 371 avionëve.

Administrata Federale e Aviacionit në SHBA tha se provat e reja dhe të dhënat satelitore nxitën vendimin për ndalimin e përkohshëm të avionëve.

Të dielën, nga rrëzimi i avionit 737 Max, i kompanisë ajrore të Etiopisë, humbën jetën të 157 njerëzit në bord.

Tetorin e kaluar, një avion i Boeing-ut, po ashtu i llojit 737 Max, është rrëzuar në Indonezi, duke shkaktuar vdekjen e të 189 njerëzve në bord.

Gjatë kësaj jave, disa vende, përfshirë SHBA-në, Brazilin, Australinë, Kinën, kanë njoftuar se kanë ndaluar së operuari me Boeing 737 Max.

“Po bëjmë gjithçka që mundemi, në partneritet me hetuesit, për të kuptuar shkakun e aksidenteve dhe për të përmirësuar sigurinë”, tha presidenti i Boeing-ut, Dennis Muilenburg.

DASH: Korrupsioni, mungesa e fondeve kufizuan mediat e pavarura në Shqipëri

Të mërkurën, Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin mbi të drejtat e njeriut në botë. Në pjesën për Shqipërinë trajtohen një numër çështjesh. Ja disa prej tyre:

Mosndëshkimi mbeti problem. Ndjekja penale dhe sidomos dënimi i zyrtarëve që kryenin abuzime ishte sporadik dhe jokonsistent. Zyrtarët, politikanët, gjyqtarët dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ishin në gjendje të shmangnin ndjekjen penale. Në përgjigje të kësaj, autoritetet kanë ndërmarrë një veting të monitoruar ndërkombëtarisht të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kanë skualifikuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh për pasuri të pashpjegueshme ose lidhje me krimin e organizuar.

Korrupsioni vazhdoi të ishte një problem serioz në qendrat e paraburgimit.

Edhe pse qeveria ka mekanizma për të hetuar dhe dënuar abuzimin dhe korrupsionin, korrupsioni në radhët e policisë mbeti problem.

Liria e shtypit dhe e medias

Media e pavarur ishte aktive dhe shprehu një larmi pikëpamjesh, megjithëse pati përpjekje për të ushtruar presion politik dhe ekonomik të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë mbi median, duke përfshirë kërcënimet dhe dhunë ndaj gazetarëve që u përpoqën të hetonin krimin dhe korrupsionin. Pronarët e bizneseve kanë përdorur lirshëm mediat për të përfituar favore dhe për të promovuar interesat e tyre pranë partive politike. Shumica e pronarëve të televizioneve private përdorën transmetimet e tyre për të ndikuar në veprimet e qeverisë ndaj bizneseve të tjera të tyre.

Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan mediat e pavarura të shtypit. Gazetarët besohet se praktikuan vetëcensurimin. Pasiguria ekonomike për shkak të mungesës së kontratave të detyrueshme të punës uli pavarësinë e gazetarëve dhe kontribuoi në anshmërinë e raportimeve. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë vazhdoi të raportojë vonesa të mëdha në pagesat e pagave për gazetarët në shumicën e mediave, në disa raste deri në 10 muaj. Problemet financiare i kanë bërë disa gazetarë që të mbështeten më shumë në burimet e jashtme të të ardhurave, duke ngritur pyetje të integritetit.

OJQ-të pohuan se etika profesionale ishte një prioritet i ulët për disa nga portalet, që vlerësohet se arrijnë në rreth 700, duke ngritur shqetësime rreth përhapjes së lajmeve të rreme në përfitim të interesave të veçanta financiare ose politike. Rritja dramatike e mediave në internet solli një larmi pikëpamjesh.

Kriza ekonomike dhe praktikat e menaxhimit në mediat shqiptare kanë pakësuar financat dhe cilësinë e raportimit në media.

Ka pasur raporte të shumta për dhunë dhe kërcënime ndaj anëtarëve të mediave, ndërkohë që interesat politike dhe të biznesit i vunë gazetarët në presion.

Më 30 gusht, një person i panjohur qëlloi 10 herë në shtëpinë e prindërve të reporteres së krimit Klodiana Lala. Zonja Lala raporton shpesh për krimin e organizuar dhe çështjet e zbatimit të ligjit, duke përfshirë reformën gjyqësore.

Në shtator, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë deklaroi se 12 gazetarë kishin paraqitur kërkesa për azil në vendet anëtare të BE, duke përmendur kërcënime për shkak të vendeve të tyre të punës.

Censura:

Gazetarët shpesh praktikojnë vetëcensurim për të shmangur dhunën dhe ngacmimin dhe si reagim ndaj presionit nga botuesit dhe redaktorët që kërkojnë të avancojnë interesat e tyre politike dhe ekonomike.

Autoriteti për komunikimet elektronike dhe postare dekretoi më 15 tetor se 44 portale të mediave kishin 72 orë për të marrë një numër identifikimi tatimor dhe ta publikonin në faqet e tyre të internetit ose qeveria do t’i mbyllte ato. Lista përfshiu disa faqet e lajmeve hulumtuese, duke përfshirë BIRN. Deri në fund të vitit, qeveria nuk i kishte mbyllur portalet që nuk kishin marrë numrin e identifikimit tatimor.

Trumpi propozon buxhet rekord prej 4.7 trilionë dollarë

Washington

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka propozuar buxhetin më të lartë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), me një kërkesë drejtuar Kongresit prej 4.7 trilionë dollarë, raporton Anadolu Agency (AA).

Buxheti i propozuar shkurton shpenzimet diskrecionale jo-mbrojtje me pesë për qind, ndërkohë që synon të balancojë brenda 15 viteve buxhetin federal.

Ndërsa kërkon të zvogëlojë buxhetet e tjera me pesë për qind, propozimi i Shtëpisë së Bardhë rrit buxhetin e Pentagonit në rreth 750 miliardë dollarë për vitin fiskal 2020, që është një rritje me 34 miliardë dollarë nga viti paraprak fiskal.

Deficiti amerikan pritet që gjatë vitit fiskal 2020 që fillon në tetor të jetë mbi 1.1 trilion dollarë, për çka Shtëpia e Bardhë përpiqet të theksojë se përfitimet e tij janë se do të krijojë një buxhet të balancuar deri në vitin 2034.

“Si vend, kemi shumë borxhe” u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë drejtori i Drejtorisë për Buxhet, Russell Vought, për të shtuar se 22 trilionë dollarët e borxhit publik të SHBA-ve, janë diçka e papranueshme për ata.

Buxheti i propozuar nga Trump është thjesht një kërkesë për Kongresin, i cili nga ana e tij gëzon autoritetin për të hartuar dhe miratuar buxhetet federale.

Propozimi i buxhetit me gjasë nuk do të miratohet nga legjislativi federal.

Një nga pikat të cilat sipas të gjitha gjasave do të pengohet në procesin e legjislativit, është kërkesa e Trumpit për rreth 8.6 miliardë dollarë, me të cilat do të ngrejë murin në kufirin SHBA-Meksikë.

Pelosi kundër nxjerrjes së Trumpit në votëbesim

Udhëheqësja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara tha se është kundër përpjekjeve për ta nxjerrë në votëbesim presidentin Donald Trump, duke thënë se “nuk ia vlen”.

Nancy Pelosi i bëri komentet në një intervistë për gazetën The Washington Post.

“Nuk jam për votëbesimin”, tha ajo.

“Dersia nuk ka diçka bindëse, të madhe dhe që mbështetet nga të dyja partitë, nuk mendoj se duhet të shkojmë në atë rrugë, sepse ajo e ndan vendin”, tha Pelosi.

Komentet e saj vijnë në kohën e presionit në rritje nga ligjvënësit demokratë për ta nxjerrë në votëbesim Trumpin, i cili është republikan.

Presioni është rritur qysh në muajin nëntor, kur demokratët kanë marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Me Kushtetutën e SHBA-së, çdo përpjekje për ta nxjerrë në votëbesim presidentin amerikan bëhet fillimisht në Dhomën e Përfaqësuesve.

Nëse presidenti del në votëbesim, Senati pastaj vendos nëse do ta largojë nga zyra – gjë që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e SHBA-së.

Disa komitete të Dhomës së Përfaqësuesve kanë nisur hetime agresive ndaj Shtëpisë së Bardhë që kanë të bëjnë sidomos me lidhjet e dyshuara të Trumpit me Rusinë.

Hetime për këtë çështje po bën edhe këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller.

Hetimet ndaj presidentit Trump mbi lidhjet me Rusinë

Ish-avokati personal i presidentit Donald Trump, Michael Cohen, kthehet të dëshmojë të mërkurën përpara Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për çështje të Zbulimit, të drejtuar nga demokratët, që këtë javë filloi hetime të reja ndaj të administratës së presidentit Trump.

Michael Cohen dëshmoi tri herë në Kongres javën e kaluar, duke folur në seanca të veçanta në komisionet e zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit, në seanca me dyer të mbyllura, si dhe para Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, në seancë të hapur. Gjatë dëshmisë ai e cilësoi presidentin Trump si një “njeri mashtrues” , që e kishte udhëzuar atë të mbulonte marrëdhëniet që kishte patur me dy gra dhe se presidenti kishte gënjyer në lidhje me përpjekjet e tij të biznesit në Rusi.

Kryetarët e Komisioneve të Zbulimit, të Punëve të Jashtme dhe të Mbikqyrjes bënë një kërkesë të përbashkët në Shtëpinë e Bardhë të martën duke kërkuar gjithë komunikimet që presidenti Trump kishte patur me presidentin rus Vladimir Putin, duke shprehur shqetësime se presidenti Trump ka fshehur detaje të këtyre shkëmbimeve.

Nga ana e tij, Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve ka kërkuar dokumente nga 81 individë, si pjesë e asaj që kryetari i komisionit Jerrold Nadler e quajti “hetim mbi korrupsionin, pengimin e drejtësisë dhe abuzimet e tjera të pushtetit nga presidenti Trump, bashkëpunëtorët e tij dhe anëtarët e administratës së tij”.

Presidenti Trump i sulmoi hetimet duke i quajtur “një ekspeditë e madhe peshkimi në kërkim të një krimi”.

Ai tha se demokratët e Kongresit “janë çmendur” dhe shtoi se letrat në kërkim të informacionit iu dërguan “njerëzve të pafajshëm për t’i sulmuar ata”.

Now that they realize the only Collusion with Russia was done by Crooked Hillary Clinton & the Democrats, Nadler, Schiff and the Dem heads of the Committees have gone stone cold CRAZY. 81 letter sent to innocent people to harass them. They won’t get ANYTHING done for our Country!

— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) March 5, 2019

Në Twitter, ai e quajti hetimin e Komisionit Juridik si “ekzagjerimin më të madh në historinë e vendit. Demokratët po pengojnë drejtësinë dhe nuk do të arrijnë asgjë”.

The greatest overreach in the history of our Country. The Dems are obstructing justice and will not get anything done. A big, fat, fishing expedition desperately in search of a crime, when in fact the real crime is what the Dems are doing, and have done!

— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) March 5, 2019

“Ngacmime presidenciale!” deklaroi ai në Twitter.

PRESIDENTIAL HARASSMENT!

— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) March 5, 2019

Më vonë, presidenti Trump u tha gazetarëve, “Është një turp për vendin tonë”, duke thënë se demokratët ende nuk e kanë pranuar fitoren e tij në zgjedhjet e vitit 2016. “Ata duan të përqëndrohen në gjera të pakuptimta.”

Duke shpallur hetimin nga Komisionit Juridik, ligjvënësi demokrat Nadler tha: “Gjatë disa viteve të fundit, presidenti Trump ka shmangur llogaridhënien për sulmet e tij thuajse të përditshme ndaj rregullave dhe normave tona themelore ligjore, etike dhe kushtetuese. Hetimi i këtyre kërcënimeve ndaj sundimit të ligjit është një detyrimi i Kongresit “.

Presidenti Trump ka mohuar prej kohësh keqbërjen që përfshin lidhjet e fushatës së tij me Rusinë dhe gjatë presidencës së tij. I pyetur për akuzat e zotit Nadler të hënën, Trump u përgjigj: “Unë bashkëpunoj me të gjithë kohën me të gjithë … … dhe a e dini më të bukurën? Nuk ka konsoiracion. E gjitha është një mashtrim”.

Në një deklaratë, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders tha se demokratët nisën hetimin “sepse janë të tmerruar që puna e tyre e rreme dyvjeçare rreth bashkëpunimit me Rusinë po shkatërrohet. Frikësimet dhe abuzimet e tyre ndaj shtetasve amerikanë janë të turpshme. Demokratët po e ngacmojnë presidentin për të larguar vëmendjen nga plani i tyre radikal për ta bërë Amerikën një vend socialist, duke vrarë foshnjat pas lindjes dhe duke nxitur një marrëveshje për mjedisin që do të shkatërronte vendet e punës dhe do të falimentonte Amerikën”.

Ajo tha se avokatët e Shtëpisë së Bardhë dhe “zyrtarët përkatës të Shtëpisë së Bardhë” do të shqyrtojnë kërkesën e Komisionit Juridik për dokumente dhe “do të përgjigjen në kohën e duhur”.

Përveç Shtëpisë së Bardhë, Komisioni i dërgoi kërkesat e tij për dokumente në Departamentin e Drejtësisë; zyrtarëve të lartë të fushatës; Organizatës Trump, sipërmarrje globale e biznesit të presidentit; dhe dy djemve të tij, Donald Trump i Riu dhe Eric Trump.

FILE – Donald Trump Jr. attends the annual White House Easter Egg Roll on the South Lawn of the White House in Washington, April 2, 2018.

​Ligjvënësi demokrat Nadler tha të dielën se ai beson se presidenti ka penguar drejtësinë. Ai tha se Michael Cohen, në dëshminë e tij të gjatë publike në Kongres javën e kaluar, “e implikoi drejtpërdrejt presidentin në krime të ndryshme, si gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale dhe në Shtëpinë e Bardhë”.

“Ne nuk kemi ende fakte, por do të fillojmë hetimet e duhura”, tha demokrati Nadler.

Informacioni i mbledhur nga Komisioni Juridik, së bashku me atë në raportin që ende nuk është publikuar nga prokurori i posaçëm Robert Mueller, lidhur me lidhjet e fushatës së zotit Trump me Rusinë dhe akuzat për pengim të drejtësisë, mund të formojnë bazën e procedurave të shkarkimit të presidentit Trump. Por demokrati Nadler tha se të flitet për përpjekjen për të shkarkuar presidentin Trump është e parakohshme.

“Ne do të veprojmë shpejt për të mbledhur këtë informacion, për të vlerësuar provat dhe për të ndjekur faktet ku ato na çojnë me transparencë të plotë me popullin amerikan”, tha ai.

Raporti i Prokurorit të Posaçëm, Mueller mund të dërgohet së shpejti tek prokurori i Përgjithshëm William Barr, por sa pjesë të raportit do të bëhen publike është e pasigurtë. Ligjvënësit demokratë kanë bërë thirrje për shpalljen e plotë të raportit, por Willima Barr ka thënë se do ta bëjë këtë vetëm në masën që lejojnë rregulloret e Departamentit të Drejtësisë.

Kylie Jenner shpallet miliarderja më e re në botë

New York

Kylie Jenner, pronarja e firmës së njohur kozmetike, ka fituar epitetin “miliarderja më e re në botë”.

Revista amerikane Forbes ka njoftuar se pasuria e 21-vjeçares Jenner, pronare e firmës Kylie Cosmetics, ka arritur në një miliardë dollarë dhe se ajo ka marrë epitetin “miliarderja më e re në botë”.

Jenner ka marrë këtë titull nga Mark Zuckerberg, themeluesi i rrjetit social Facebook, ndërsa në të njëjtën kohë është shpallur edhe si “miliarderja më e re që ka krijuar pasurinë e vet”.

“Nuk kisha asnjë pritje. Nuk e kam paraparë të ardhmen. Megjithatë, ky epitet më bëri të ndihem shumë mirë. Është vlerësim i madh”, është shprehur Jenner për Forbes.

Jenner, gjysmë motër e motrave Khole dhe Kim Kardashian, themeloi Kylie Cosmetics në vitin 2015. aa

Trumpi do të bashkëpunojë me hetimin e demokratëve në Kongres

Presidenti i SHBA, Donald Trump, tha se do të bashkëpunojë me hetimin ndaj fushatës së tij presidenciale dhe biznesit të tij, hetim i filluar të hënën nga demokratët e opozitës në Dhomën e Përfaqësuesve. Zoti Trump vazhdon të mohojë se ka patur ndonjë shkelje që përfshin lidhje të fushatës së tij me Rusinë apo gjatë presidencës së tij.

Dy vitet që kur Presidenti Donald Trump erdhi në Shtëpinë e Bardhë kanë qenë të trazuara dhe pritet që situata të trazohet më tej.

“Ne do të bëjmë gjithçka mundemi për të marrë në dorë çdo provë. Hetimi po fillon.”

Të hënën, Komisionit Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve kërkoi dokumente nga më shumë se 80 vetë brenda administratës Trump, familjes dhe biznesit të tij, duke përfshirë ish-avokatin personal Michael Cohen, djemtë Eric dhe Don Junior si dhe dhëndrrin Jared Kushner – si pjesë e hetimit mbi akuzat për pengim të drejtësisë, korrupsion dhe shpërdorim pushteti.

Shtëpia e Bardhë tha se do të përgjigjet “në kohën e duhur”.

“Unë bashkëpunoj gjithë kohën me të gjithë, dhe e di ç’është më e bukura? Nuk ka patur asnjë bashkëpunim të fshehtë. Është e gjitha mashtrim,” thotë presidenti Trump.

Zoti Trump mohon se ka patur shkelje që përfshijnë ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Komisioni Juridik i Dhomës është mjaft i fuqishëm dhe në të kaluarën ka hetuar presidentët Richard Nixon dhe Bill Clinton për akuzat për pengim të drejtësisë dhe keqpërdorim të pushtetit. Deri tani, ky hetim nuk ka lidhje me ndonjë proces për shkarkimin e presidentit.

“Nëse kjo do të shdërrohet ose jo në një skandal në përmasat e Uotergejtit, skandali i vetëm që ka detyruar një president të largohet nga posti, mbetet për t’u parë se ç’do të rezultojë nga këto dëgjesa publike”, Jeremy Venook, i Qendrës Amerikane të Progresit

Hetimi i tanishëm nuk ka lidhje me hetimin rreth Rusisë, i drejtuar nga Robert Mueller, rezultatet e të cilit priten shumë shpejt,

“Ne thjesht nuk e dimë se çfarë mund të dalë në këtë raport për ndonjë komplot me rusët. Sigurisht që ka shumë tym. Mbetet për t’u parë nëse ka zjarr”, thotë Alan Lichtman, historian në Universitetin Amerikan.

Hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve është një tjetër goditje pas dëshmisë së bujshme që dha javën e kaluar ish-avokati personal i presidentit, Michael Cohen.

“Puna e të gjithëve në organizatën Trump është ta mbrojë zotin Trump çdo ditë. Shumica prej nesh e dinin se po vinte dita që do të gënjenim për diçka në emër të tij, dhe kjo u bë normë. Dhe pikërisht kjo po ndodh tani,” tha zoti Cohen.

Ka edhe hetime të tjera ndaj rrethit të brendshëm të presidentit, duke përfshirë ato në gjykatat e qarkut Jugor të Nju Jorkut si dhe në Nju Xhersi dhe në Uashington, D.C.

Trumpi që tani filloi fushatën elektorale

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA do të mbahen në vjeshtën e vitit 2020, por presidenti Donald Trump e ka hapur fushatën e tij. Trump sulmoi ashpër kundërshtarët e tij, në veçanti demokratët.

Presidenti amerikan Donald Trump betohet se do ta luftojë me vendosmëri fantazmën e socializmit në Shtetet e Bashkuara të Armerikës. “Amerika nuk do të shndërrohet kurrë në një vend socialist”, theksoi Trumpi në një fjalim dyorësh në takimin vjetor të aktivistëve dhe parlamentarëve konservatorë (CPAC) në Uashington. “E ardhmja nuk i takon atyre që besojnë tek socializmi”, tha Trump, i cili në këtë mënyrë iu drejtua politikës së demokratëve opozitarë. “E ardhmja i takon atyre që besojnë tek liria.”

Trump tha se demokratët me “synimet e tyre radikale të majta” duan ta shkatërrojnë tërësisht ekonominë amerikane. “Por unë do t’ju mbroj”, tha Trump para simpatizantëve të tij. Rruga më e sigurt për të evituar këto “synime radikale”, sipas Trumpit, është e “rizgjedhja e tij për president, në zgjedhjet e vitit 2020”. Trump u ankua sërish për “gjuetinë e shtrigave” kundër tij. Ai pohon se nuk ka pasur kurrfarë marrëveshjesh sekrete me Rusinë, në prag të zgjedhjeve të vitit 2016. Por demokratët nuk duan ta kuptojnë këtë. “Këta njerëz janë të sëmurë”, tha Trump.

Donald Trump spricht auf der CPAC (picture-alliance/AP/C. Kaster)

Trumpi kërkon “lirinë e shprehjes” në universitete

Trump pohon se nga shkollat e larta amerikane do të kërkojë që të garantojnë “lirinë e shprehjes”. Ai tha se së shpejti do të nënshkruajë një urdhër, me të cilin shkollat e larta detyrohen që të garantojnë këtë liri, nëse duan të kenë mbështetjen financiare të shtetit. “Nëse nuk e bëjnë këtë, kjo do t’u kushtojë shumë”, tha Trump, pa paraqitur ndonjë plan konkret se për çfarë qëllimesh dhe çfarë kostosh e ka fjalën.

Banka kombëtare amerikane Fed e ka kritikuar presidentin amerikan Donald Trump për politikën e tij financiare. Kjo politikë ka dobësuar dollarin amerikan dhe ka dëmtuar aftësinë konkurruese të SHBA. “Ne në Fed kemi një zotëri, i cili dëshiron të ketë një dollar shumë të fuqishëm”, tha Trump. “Edhe mua më pëlqen të kemi një dollar të fuqishëm, por unë dua të kemi një dollar të mrekullueshëm dhe jo një dollar i cili është aq i fuqishëm sa që të na pengojë në tregti me vendet e tjera”, theksoi presidenti Trump në këtë fjalim, i cili konsiderohet edhe si një lloj hapje e fushatës për zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të mbahen në vitin 2020.

bc/wa/nob (afp, dpa, rtr)

Tornado vdekjeprurëse në Alabama

Një tornado goditi në juglindje të Alabamës, duke lënë pas vetes të paktën 23 të vdekur dhe disa të plagosur. Stuhia shkaktoi dëme katastrofale në zonë.

Sherifi i kontest Lee, Jay Jones tha se “tash për tash janë 23 të vdekur. Për fat të keq, druaj se ky numër mund të rritet”.

Alabama

Moti i lig pengoi operacionet e kërkimit me dronë të dielën vonë dhe sherifi Jones tha se kërkimet më të ngjeshura priten të hënën.

Presidenti Donald Trump, u bëri thirrje të dielën vonë qytetarëve të Alabamës që të “jenë të kujdesshëm. Familjeve dhe miqve të viktimave, Zoti ju bekoftë të gjithëve”, shkroi ai.

Në disa pamje televizive shihen shtëpi të shkatërruara, rrugë të dëmtuara e pemë të çara në dysh nga stuhitë.

Demokratët premtojnë se do të intensifikojnë hetimet ndaj Presidentit Trump

Ligjvënës demokratë me peshë, premtuar të dielën se do të intensifikojnë hetimet për Presidentin Donald Trump dhe për lidhjet e tij me Rusinë gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.

Kreu i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jerrold Nadler i tha televizionit ABC se të hënën, komisioni që ai drejton do të bëjë kërkesa për dokumenta nga 60 vetë “për të filluar hetimet për të paraqitur para popullit amerikan një çështje për pengim të drejtësisë, korrupsion dhe abuzim me pushtetin”.

Ai tha se kërkesat do t’u dërgohen zyrtarëve në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Drejtësisë, si edhe djalit të madh të presidentit, Donald Trump Jr., dhe Allen Weisselbergut, shefi ekzekutiv i financave i Organizatës Trump.

Zoti Nadler tha se besoj se presidenti ka penguar drejtësinë gjatë dy viteve në detyrë. Ai tha se ish-avokati personal i zotit Trump, Michael Cohen, në dëshminë e tij të detajuar publike në Kongres “e implikoi direkt presidentin në disa krime, si gjatë kohës së fushatës ashtu edhe kur u bë president”.

“Ende nuk i kemi në dorë faktet, por do të fillojmë hetime të mirëfillta”, tha zoti Nadler.

Zoti Cohen, që e quajti Presidentin Trump “racist, mashtrues dhe gënjeshtar”, i tregoi një komisioni të Kongresit dy çeqe për 35 mijë dollarë, një i nënshkruar nga presidenti dhe tjetri nga i biri i tij dhe zoti Weisselberg, drejtuar avokatit Cohen, pjesërisht për të shlyer 130 mijë dollarë që ai i kishte paguar pak para zgjedhjeve të vitit 2016 aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels që ajo të mos fliste ludhur me një marrëdhënie që ajo thotë se kishte pasur me zotin Trump, para më shumë se një dekade.

Senatori demokrat Mark Warner, nënkryetari i Komisionit të Senatit për Zbulimin, i tha CNN-it se pas dëshmisë së zotit Cohen “Duhet të gërrmojmë më shumë” për të zbuluar se deri ku arrinin përpjekjet e Presidentit Trump për ndërtimin e një grataçele në Moskë gjatë fushatës së vitit 2016, ndërsa para votuesve thoshte se nuk ishte i përfshirë në asnjë negociatë biznesi me Rusinë.

Senatori Warner tha se do të arrinte në përfundimin nëse zoti Trum kishte bashkëpunuar me qëllim me Rusinë për ta ndihmuar që të fitonte zgjedhjet, pasi të bëhen hetime të mëtejshme.

Por shtoi ai “pretendimi se nuk ka prova është faktikisht i gabuar”.

Komisioni i zotit Nadler do të ishte i pari që do të fillonte procesin e për të kërkuar shkarkimin e zotit Trump, por ai tha se nuk është marrë ndonjë vendim në këtë drejtim.

Komisioni i zotit Nadler, dhe komisione të tjera të Kongresit po presin bërjen publike të raportit të prokurorit të posaçëm, Robert Mueller për hetimin e tij të lidhjeve të mundshme të fushatës së zotit Trump me Rusinë dhe nëse zoti Trump, kur u bë president, pengoi drejtësinë në përpjekjet për të frenuar hetimin.

Raporti i zotit Mueller mund t’i dorëzohet Prokurorit të Përrgjithshëm, William Barr ditët e ardhshme por nuk është e qartë se deri në çfarë mase do të bëhet publik.

Zoti Trump, ka rifilluar sulmet ndaj hetimit të zotit Mueller dhe hetimeve në rritje të Kongresit.

“Pas më shumë se dy vjetësh Ngacmimesh ndaj Presidentit, e vetmja gjë që është provuar është se demokratët dhe të tjerë kanë shkelur ligjin”, shkruante ai në Twitter të dielën.

“Dëmshmia keqdashëse e Cohenit, që u dha nga një gënjeshtar për të ulur dënimin e vet, provoi se nuk kishte konspiracion. Dorëshkrimi për libër i saposhkruar nga ai. tregoi se ajo që tha ai ishte krejtësisht gënjeshtër. Por Media e Rreme nuk flet për këtë. Unë jam një njeri i pafajshëm, që po persekutohet nga disa njerëz shumë të këqinj, konfliktualë dhe të korruptuar në një Gjueti Shtrigash që është e palighshme dhe që nuk duhej lejuar që të fillonte. Dhe vetëm sepse fitova zgjedhjet. Megjithë këto, sukses i madh!” vazhdonte ai.

Deklarata e fortë e zyrtarit të SHBA-së: Serbisë ia kemi bërë të qartë, të njohë Kosovën!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë bërë të qartë Serbisë se në dialogun me Kosovën nuk bëhet fjalë nëse do të ketë korrigjim kufijsh, ose jo, por duhet të ketë njohje reciproke mes dy vendeve.

“Serbia duhet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, dhe të njëjtën duhet ta bëjë edhe Kosova”, tha Zëvendës- ndihmës sekretari  amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, në një panel dedikuar Evropës Juglindore në Forumin Ekonomik Delphi, që po mbahet në Greqi.

 

Sipas gazetës serbe “Danas”, duke folur lidhur me atë se cili në të vërtetë është pozicioni i SHBA-së në bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë, Palmer ka thënë se ekziston një keqkuptim rreth pozicionit amerikan

“SHBA-ja dëshiron të ndihmojë në atë çfarë palët në dialog dëshirojnë të bëjnë. Marrëveshja e Prespës ishte e suksesshme sepse krerët e të dyja palëve e donin atë. Ne duam që kjo të përsëritet në negociatat midis Serbisë dhe Kosovës, dhe Beogradi e Prishtina të pranojnë marrëveshjen. Nuk ka linja të kuqe, por nuk ka as fatura blanko”, tha Palmer, përcjell Telegrafi.

Palmer tha se “Kosova duhet ta heqë ose pezullojë taksën, sepse ajo është pengesë për avancim në bisedime”.

Ai përkujtoi se Shtetet e Bashkuara ndër vite e mbështesin Kosovën dhe tani është e nevojshme që Kosova të përgjigjet si partnere. “SHBA dëshiron të ndryshojnë kontekstin në të cilin do të merret vendimi  dhe kjo është arsyeja pse ata duan të hiqet taksa”, tha ai.

Në këtë Forumin Ekonomik, përveç Kosovës, u fol edhe rreth kërcënimeve dhe rreziqeve të stabilitetit në Ballkan.

Ish-Presidenti bullgar, Rozen Plevniyev, theksoi veçanërisht “ndikimin negativ të Rusisë”.

Ai potencoi rrezikun e një referendumi të mundshëm në për ndarjen e Bosnjës e Hercegovinës, duke e cilësuar atë si një bombë nukleare për Ballkanin.

Ndërsa, tha se Serbia po zbaton agjendën ruse në Ballkan, ndonëse po synon anëtarësimin në BE dhe këtë po e bën në momentin kur Perëndimi dhe Rusia po përballen.

Ambasadori William Walker reflekton 20 vjet pas masakrës së Reçakut: Masakra e Reçakut krim kundër njerëzimit!

Ambasadori William Walker reflekton 20 vjet pas masakrës së Reçakut

Ambasadori William Walker: Burimi i fotos – Zëri i Amerikës

Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, forcat serbe ndërmorrën një sulm kundër fshatit të Reçakut, në komunën e Shtimjes, në rajonet qendrore të Kosovës, hynë shtëpi më shtëpi, ndanë meshkujt më vete dhe ekzekutuan rreth 45 prej tyre. Të nesërmen, ish drejtues i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, shkoi në vendin ku ishin hedhur kufomat, rrëzë një kodre dhe e quajti aktin një masakër të kryer nga forcat serbe. Në prag të 20 vjetorit të masakrës së Reçakut, Ambasadori William Walker, thotë se i mbetet besnik vlerësimit të tij për ngjarjen, e cila hodhi dritë në atë që po ndodhte në Kosovë dhe që çoi eventualisht në ndërhyrjen e Natos kundër forcave serbe. 20 vjet më pas, ambasadori Walker e sheh situatën në Kosovë si të trazuar dhe idetë e reja në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si të pafavorshme për Prishtinën.

Me ambasadorin bisedoi kolegia Rudina Dervishi.

Zëri i Amerikës: Javën që vjen Kosova shënon 20 vjetorin e masakrës së Reçakut, të cilën ju më 16 janar të vitit 1999 e cilësuat krim kundër njerëzimit. Si e kujtoni atë ditë 20 vjet më pas?

William Walker: E kujtoj me aq përpikmëri ashtu siç e pashë vetëm disa orë pasi dëshmova rezultatin e masakrës. E sjell shpesh në mendje atë skenë dhe nuk kam ndryshuar asgjë në interpretimin e asaj që pashë apo çfarë e kishte shkaktuar atë.

Zëri i Amerikës: Çfarë rëndësie ka kujtesa ndaj ngjarjeve të tilla?

William Walker: Për mendimin tim, – ndoshta e ekzagjeroj por nuk mendoj ashtu, – ajo që ndodhi në Reçak dhe ngjarjet që pasuan çuan në formimin e Republikës së Kosovës. Ai incident, reagimi im ndaj tij, dhe më pas reagimi i qeverisë së Serbisë ndaj reagimit tim, prodhuan një cunam ndërkombëtar raportimesh për atë që po ndodhte në Kosovë, që çoi pastaj në takimin e ministrave të jashtëm, më pas takimet në Londër, në Rambuje që u pasuan me fushatën e bombardimeve gjë që eventualisht çliroi Kosovën nga kontrolli i Serbisë. Mendoj se është shumë e rëndësishme ta kujtoj sa më shpesh të jetë e mundur – sa herë që ndeshem me informacione të reja kontrolloj për të parë nëse konkluzioni im fillestar ishte i saktë dhe deri më sot, 20 vjet më pas, jam ende i bindur se vlerësimi që dhashë ishte i vërtetë.

Zëri i Amerikës: Vlerësimi juaj shënoi kthesë në qasjen e diplomacisë perëndimore e cila u përfshi në proceset që u paraprinë bombardimeve të NATO-s. Beogradi ju shpalli person të padëshirueshëm dhe ngul këmbë edhe sot se Reçaku u paraqit ndryshe për të krijuar një shkas për bombardimet kundër Serbisë. Si u përgjigjeni këtyre qëndrimeve?

William Walker: Është absolutisht qesharake.Unë e di përse shkova në Reçak atë mëngjes të 16 janarit. Mbërrita aty vetëm disa orë pasi kishte ndodhur masakra. Pashë në mesin e asaj dite të acartë dimri trupat dhe atë që kishte ndodhur ndaj atyre burrave dhe djemve. Qeveria e Beogradit doli që ditën e parë me versione të ndryshme që i përshtaste me atë që mësonte bota për atë ngjarje dhe vazhdimisht ka ndryshuar opionionin e saj. Ata arritën deri aty saqë pretendonin se unë kisha shkuar dhe kisha ndryshuar rrobat e më shumë se 40 viktimave dhe i kisha shpuar me plumba. Këto ishin shpjegime qesharake. Është një nga shumë të tilla të bëra nga Beogradi. Edhe njëherë, unë nuk kam parë asnjë informacion nga burime të besueshme, që të ketë rënë ndesh me vlerësimin tim fillestar të asaj që ndodhi atë natë.

Zëri i Amerikës: Njëzet vjet më pas, kur e mendoni situatën që mbretëronte në Kosovë, a ka qenë e mundur të shmangej një masakër e tillë?

William Walker: Jo. Ajo nuk ishte masakra e vetme, kishte edhe të tjera. Ndryshimi me atë të Reçakut ishte se vëzhguesit ndërkombëtarë mbërritën aty brenda disa orëve dhe kështu që historitë e sajuara të një beteje mes UÇK-së dhe forcave serbe u sfiduan. Ata ishin të gjithë djem dhe burra fshatarë me veshjet e tyre të bujqësisë. Nuk mendoj se masakra mund të ishte shmangur. Ajo thjesht hodhi dritë mbi atë që qeveria në Beograd po bënte ndaj shqiptarëve në Kosovë që nuk ishte vetëm në Reçak por në shumë fshatra të tjera.

Zëri i Amerikës: Ambasador, një vit më parë ju thatë në Reçak se “është dëshpëruese, pasi këta njerëz nuk e dhanë jetën e tyre për ta parë Kosovën aty ku është tani”. Sipas jush ku ndodhet Kosova njëzet vjet pas asaj masakre?

William Walker: Do të thosha në një situatë të trazuar. Ditën kur u shpall pavarësia – isha atë ditë në Prishtinë dhe të nesërmen në Pejë dhe kujtoj atë lum njerëzish që festonin çlirimin dhe pavarësinë. Pritshmëritë ishin të larta, ndoshta shumë të larta. Por edhe po të ishin në një nivel më të ulët, një numër shumë i madh njerëzish në Kosovë sot janë mjaft të zhgënjyer me ecurinë e deritanishme. Shumë njerëz thonë se duhet kohë për të ndërtuar një shtet të ri që lindi nga asgjëja, se politikanët kosovarë nuk kishin përvojë për të qënë politikanë e aq më shumë presidentë apo zëvendësministra, apo deputetë. Por mendoj se situata është zhgënjyese, ka shumë korrupsion, shumë krim, shumë pasiguri për të ardhmen. Rrjedhja e trurit që ka prekur të gjitha vendet e Ballkanit por veçanërisht Kosovën, papunësia mes të rinjëve është shumë e lartë dhe ata po humbasin shumë njerëz të aftë. Kam qënë i përfshirë me Universitetin Amerikan në Kosovë në përpjekjet për të trajnuar të rinjtë me mënyrën sesi funksionon bota sot. Kemi patur rezultate të mira. Ka shumë studentë të mirë dhe inteligjentë, por sapo diplomohen ata largohen – shkojnë në Gjermani apo këtu në Shtetet e Bashkuara – e kërkojnë fatin diku tjetër pasi në Kosovë mundësitë janë shumë të pakta. Pra shumë njerëz prisnin më tepër përparim 20 vjet pas asaj që ndodhi.

Zëri i Amerikës: Kosova shënon sivjet 11 vjet të pavarësisë, por ende është në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Gjatë vitit që lamë pas madje janë hedhur ide për një marrëveshje që mund të prekte edhe kufijtë e saj. Si e shihni ju këtë proces dhe ide të tilla?

William Walker: Unë e shoh kështu: njëra palë është e gatshme të negociojë dhe të bisedojë për të ardhmen ndërsa tjetra shumë e pandryshuar në qëndrimin e saj se Kosova është ende pjesë e Serbisë. Duke patur parasysh mënyrë sesi e trajtoi shumicën shqiptare qeveria e Slobodan Milosheviçit në Kosovë, unë nuk e imagjinoj dot që populli i Kosovës të pranojë ndonjë lloj kufizimi të lirisë nga ana e Beogradit. Në të njëtën kohë është një problem që të dyja vendet janë fqinje. Serbia vazhdon të provokojë probleme në veri të Kosovës me pakicën serbe. Ende nuk kam dëgjuar ndonjë zgjidhje të mundshme nga tryeza e bisedimeve që të jetë e zbatueshme, që të zgjidhte problemet. Dëgjon për shkëmbime territoresh apo ide të tjera. E di që Bashkimi Evropian kërkon një zgjidhje, një marrëveshje të negociueshme, e di që Shtëpia e Bardhë kërkon një zgjidhje. U deklarua kohët e fundit se do të mbështesim çdo marrëveshje për të cilën bien dakord palët. Mendoj se kjo është e padrejtë për Kosovën. Serbia është në një pozitë më të fuqishme. Ata kanë mbështetjen e Rusisë dhe vende të tjera në anën e tyre. Kosova është në pozita të dobëta. Thjesht shpresoj që kushdo që negocion për Kosovën do të mbetet këmbëngulës se do të ishte e papranueshme çdo gjë që është më pak se njohja e pavarësisë nga Beogradi, se fakti që Kosova ekziston si një shtet i pavarur në Evropë. Jam disi i shqetësuar se klasa e tanishme politike, disa anëtarë të saj, janë të shqetësuar për një re tjetër që u rëndon mbi supe që është zyra e Prokurorit Special. Disa prej tyre mund të ndjejnë se nëse nuk bëjnë atë që u thotë Bashkimi Evropian apo Shtetet e Bashkuara, mund të akuzohen shumë lehtë. Zyra e Prokurorit Special ka kohë që është ngritur dhe ende nuk kam dëgjuar për akuza të ngritura kundër askujt, por e di se disa në lidershipin e tanishëm janë të shqetësuar se mund të akuzohen personalisht për krime lufte.

Zëri i Amerikës: Ju e shihni Kosovën në një situatë më të dobët sesa Serbia që sipas jush ka mbështetjen e Rusisë. Si e shihni përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në këtë proces?

William Walker: Mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë tentuar të tërhiqen nga angazhimi i fuqishëm i mëparshëm ndaj Kosovës si një shtet i pavarur për shumë arsye. Vëmendja po kthehet ndaj problemeve të tjera në pjesë të tjera të botës. Kosova është një vend i vogël. Shtetet e Bashkuara nuk mbështeten tek Kosova për asgjë kështu që interesat nuk janë të njëjta. Nuk do të thosha se Shtetet e Bashkuara kanë humbur interesin por po humbasin entuziazmin që kishin për ta ndihmuar Kosovën të zhvillohej si një vend që shumë dëshironin se do të ishte. Në administratën e tanishme amerikane nuk mendoj se ka njerëz që kanë qënë të përfshirë me çlirimin apo pavarësinë e Kosovës apo që janë në dijeni që asaj që ka ndodhur para masakrës së Reçakut. Është e vështirë të shpjegosh sesa e keqe ishte situata për popullin e Kosovës nën Slobodan Milosheviçin. Dhe nuk kam parë ndonjë shenjë nga qeveria e Beogradit për të ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë kaluar në qëndrimin se çdo lloj marrëveshjeje është e pranueshme prej nesh. Kjo më zhgënjen!!

Zëri i Amerikës: Cila do të ishte këshilla juaj për udhëheqjen e Kosovës në vazhdimësi të këtij procesi?

William Walker: Do t’i këshilloja të mos dëgjonin aq shumë sa kanë dëgjuar deri tani komunitetin ndërkombëtar dhe të dëgjojnë më shumë popullin në Kosovë. Nëse do të dëgjonin më shumë njerëzit që i votojnë, i zgjedhin dhe u mundësojnë titujt, punët e mira, udhëtimet dhe të gjitha të tjerat që vijnë me mbajtjen e një posti publik. Ata nuk dëgjojnë atë që thonë njerëzit. Siç e thashë ka një zhgënjim të madh dhe zemërim se gjërat nuk kanë shkuar si duhet. Mendoj se klasa politike në Kosovë – që nga presidenti, tek kryeministri, tek ministrat – shumë prej tyre janë parë si heronj të luftës, që luftuan me UÇK-në. Po – ata u shpërblyen, morën poste politike. Por ka ardhur koha që ata të largohen, është koha që të vijë një brez i ri që e di si është tani bota. Nuk shoh fytyra të ndryshme në zyra publike nga ato që kam parë unë 20 vjet më parë. Bota ka ndryshuar, situata e Kosovës ka ndryshuar dhe ata kanë nevojë për një drejtim që ka besimin e popullit./Burimi: Zëri i Amerikës/Janar 2019

Familja e Otto Warmbier-it dënon komplimentet e Trumpit ndaj Kimit

Otto Frederick Warmbier.

Familja e studentit amerikan, Otto Warmbier, që ka vdekur pasi ishte burgosur në Korenë Veriore, ka reaguar ashpër pas lavdatave që i ka bërë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, liderit verikorean, Kim Jong-un.

Prindërit e Warmbier kanë thënë se ata kanë qenë duke respektuar samitin e fundit Trump-Kim, mirëpo tani dëshirojnë të flasin.

“Kim dhe regjimi i tij djallëzor”, ka vrarë vrarë djalin e tyre, kanë thënë ata duke shtuar se “asnjë arsyetim nuk mund ta ndryshojë” atë gjë.

Deklarata e tyre ka ardhur pasi Trump ka nisur komplimente drejt Kimit.

Samiti i dytë në mes të presidentit amerikan dhe liderit verikorean ka përfunduar pa marrëveshje këtë javë në Vietnam.

Warmbier, student i Universitetit të Virxhinias është burgosur në Phenjan në dhjetor të vitit 2015, gjatë një udhëtimi të organizuar, nën akuzat se ka vjedhur një mbishkrim në mur të hotelit.

Autoritetet verikoreane kanë rikthyer 22-vjeçarin në SHBA, në gjendje kome, në qershor të vitit 2017.

Ai ka vdekur në shtëpinë e tij në Ohio dhe disa ditë më vonë.

Michael Cohen kthehet në Kongres javën a ardhshme

Ish-avokati i Presidentit Donald Trump, Michael Cohen, që u intervistua të enjten me dyer të mbyllura nga Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, do të kthehet në Kongres të mërkurën e ardhshme për të të përfunduar me dëshminë e tij.

Kryetari i Komisionit, demokrati nga Kalifornia Adam Schiff tha se edhe biznesmeni rus, Felix Sater, që kishte punuar me projektin për një Kullë Trump në Moskë me zotin Cohen, do të dëshmojë.

Zoti Schiff tha se seanca me dyer të mbyllura me zotin Cohen ishte produktive.

“Jemi shumë mirënjohës që ai ishte aq i hapur. Ne e paralajmëruam zotin Cohen që të na thoshte të vërtetën, të gjithë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Dhe asnjë nga pyetjet që i bëmë, nuk mbeti pa përgjigje”, tha ai.

Zoti Cohen dukej në humor të mirë, pas seancës.

“Nuk kam shumë për të thënë përveçse që ishte shumë produktiv. Siç thashë, unë jam i përkushtuar të them të vërtetën dhe do të kthehem më 6 mars, që të mbaroj. Ka akoma gjëra për të diskutuar”.
Zhvillimet e së enjtes, vijnë pas dëshmisë publike të zotit Cohen një ditë më herët, kur ai e quajti ish-shefin e tij, “racist, mashtrues dhe gënjeshtar”.Presidenti Trump reagoi, duke thënë në kanalin Fox News, se dëshmia e zotit Cohen ishte një “demonstrim i tmerrshëm pandershmërie”.

Zoti Cohen pranoi vitin e kaluar fajësinë për tetë akuza kriminale, përfshirë shkelje të ligjeve për financimin e fushatave në lidhje me pagesat për aktoren e filmave pornografikë, Stormy Daniels dhe ish-modelen e revistës Playboy, Karen McDougal. Të dyja ato thonë se kanë patur marrëdhënie me zotin Trump. Ai i ka mohuar akuzat.

Zoti Cohen pranoi gjithashtu fajësinë për një akuzë sipas së cilës kishte gënjyer Kongresin lidhur me përpjekjet e organizatës Trump për të negociuar një marrëveshje për të ndërtuar një kullë Trump në Moskë.

Cohen pretendon se Donald Trumpi ishte në dijeni të imeillave nga WikiLeaks

CAPITOL HILL — Ndërkohë që Presidenti është në Vietnam, në takimin e nivelit të lartë me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un- ish avokati i tij Michael Cohen dha një dëshmi publike përpara një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve këtu në Uashington. Ai e portretizoi presidentin si racist, manipulator dhe mashtrues, një tablo potencialisht e dëmshme për presidentin Trump. Cohen tha se zoti Trump e dinte se këshilltari i tij i fushatës Roger Stone kishte në kontakt me kreun e WikiLeaks Julian Assange. Kjo është dita e dytë e dëshmive të zotit Cohen para Kongresit që po vazhdon me pyetjet e ligjvënësve drejtuar ish avokatit të vjetër të zotit Trump.

Zoti Cohen tha në fillim të fjalës së tij se është penduar për ndihmën që i ka dhënë Presidentit Trump dhe ndihet i turpëruar për veprimet e tij.

“Ai është racist, është mashtrues. Është i pandershëm”, tha ai.

Zoti Cohen tha se Donald Trump kishte njohuri, drejtoi dhe gënjeu rreth negociatave që kompania e tij pati gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 për të ndërtuar një kullë Trump në Moskë.

Michael Cohen, the former personal attorney of U.S. President Donald Trump, reads his opening statement as he testifies at a House Committee on Oversight and Reform hearing on Capitol Hill in Washington, Feb. 27, 2019.

Cohen tha se zoti Trump e dinte se këshilltari i tij i fushatës Roger Stone ishte në kontakt me kreun e WikiLeaks Julian Assange rreth publikimit të emaileve që do të dëmtonin rivalen Hillary Clinton.

“Në korrik të vitit 2016, disa ditë para Konventës së Demokratëve, u ndodha në zyrën e z. Trump kur sekretarja e tij njoftoi se në telefon ishte Roger Stone. Zoti Trump e vuri bisedën në altoparlant. Stone i tha zotit Trump se sapo kishte përfunduar një telefonatë me Julian Assange dhe se zoti Assange i kishte thënë se brenda pak ditësh do të dilte një sasi e madhe emailash që do të dëmtonin fushatën e Hillary Clintonit.”

Cohen tha më tej se zoti Trump kurrë nuk e priste të fitonte zgjedhjet presidenciale dhe e shinte kandidaturën e tij si “një mundësi marketingu”.

“Të jemi të qartë: Zoti Trump kishte dijeni dhe drejtoi negociatat për kullën Trump në Moskë gjatë gjithë fushatës dhe gënjeu për këtë. Ai gënjeu sepse kurrë nuk priste të fitonte zgjedhjet. Ai gjithashtu gënjeu sepse shpresonte të fitonte qindra miliona dollarë me projektin e pasurive të patundshme në Moskë,” tha zoti Cohen.

Trump, në Vietnam për samitin e tij me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jung Un, sulmoi ish-avokatin e tij në Twitter përpara dëshmisë , duke thënë se ai ishte “i përjashtuar nga Gjykata e Lartë e Shtetit për gënjeshtra dhe mashtrime. Ai po gënjen në mënyrë që të reduktojë kohën e burgut ”

Michael Cohen was one of many lawyers who represented me (unfortunately). He had other clients also. He was just disbarred by the State Supreme Court for lying & fraud. He did bad things unrelated to Trump. He is lying in order to reduce his prison time. Using Crooked’s lawyer!

— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) February 27, 2019

Ligjvënësit republikanë në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrjen dhe Reformën u munduan të diskreditonin sjelljet e zotit Cohen që çuan në paditë e tij për mashtrime tatimore dhe manipulime ndaj një banke. Kongresmeni Mark Green tha: “Ai është një dëshmitar i rremë. Shfaqja e tij këtu është qesharake”. Ligjvënësit demokratë u përqëndruan në dëshminë e zotit Cohen për veprimet e presidentit Trump.

Zoti Cohen pohoi se nuk ekzistojnë prova të drejtpërdrejta për një marrëveshje të fshehtë ndërmjet fushatës Trump dhe Rusisë, por tha se për këtë ka dyshimet e tij.

Ai citoi si dëshmi të mundshme një bisedë mes zotit Trump dhe djalit të tij, Donald Trump Jr. ku tha se ishte vetë i pranishëm. Sipas tij, tema ishte një takim që do të zhvillohej në kullën Trump ku përfshiheshin Donald Trump Jr, dhëndrri i presidentit, Jared Kushner, menaxheri i fushatës Trump, Paul Manafort dhe një avokate ruse që kishte lidhje me qeverinë e Rusisë.

Ky takim është shqyrtuar me kujdes edhe nga prokurori Mueller. Presidenti Trump ka mohuar të ketë patur njohuri paraprake të bisedimeve dhe në gusht minimizoi pretendimet se pala e tij ishte atje për të marrë informacion potencialisht të dëmshëm rreth kandidates Clintonit, duke thënë se akte të tilla janë “krejtësisht ligjore dhe të kryera shpesh në politikë”.

Cohen tha se zoti Trump kishte sajuar një herë një person të ofronte në një ankand të paguante 60,000 dollarë për një portret të Trumpit, dhe më pas e kishte rimbursuar nga fondet e fondacionit bamirës Trump.

Ish avokati tha, “Zoti Trump është një mashtrues. Në përvojën time, Trump frynte pasuritë e tij kur kjo i shërbente qëllimeve të tij, të tilla si kur përpiqej të ishte në mesin e njerëzve më të pasur në revistën Forbes, dhe i zvogëlonte pasuritë e tij për të ulur taksat ndaj pasurive të patundshme”.

Ai e quajti Trumpin një “racist”, duke thënë se ai shpesh i përbuzte afrikano-amerikanët.

“Vendi ka parë mbështetjen për supremacistët nga zoti Trump”, tha Cohen. “E keni dëgjuar atë t’i referohet vendeve të varfra si hale. Privatisht, është edhe më i keq. Një herë më pyeti nëse dija ndonjë vend të drejtuar nga një person afrikano-amerikan që nuk ishte një ‘hale’. Kjo ishte në kohën kur Barack Obama ishte president i Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë që ishim kaluar me makinë nëpër një lagje të varfër në Çikago, ai komentoi se vetëm njerëzit e zinj mund të jetonin në atë mënyrë duke shtuar se ata kurrë nuk do të votonin për të, sepse ishin shumë budallenj”.

Michael Cohen tha se ishte rimbursuar nga Donald Trump për pagesat që Cohen bëri për të mbajtur të heshtura dy gra, yllin pornografik Stormy Daniels dhe modelen e Playboy-it Karen McDougal, të cilat pretendonin se kishin patur marrëdhënie seksuale me zotin Trump. Cohen tha se Donald Trump personalisht nënshkroi 11 çeqe nga llogaria e tij personale ndërkohë që ishte president dhe se i ka dhënë komisionit një kopje të tyre.​

Cohen është dëshmitari i profilit më të lartë që nga skandali i Watergate në vitet 1970 që dëshmon në Kongres kundër një presidenti amerikan në detyrë.

Hera e fundit që Shtetet e Bashkuara përjetuan një ngjarje të ngjashme ishte në vitin 1973, kur ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë John Dean dha një dëshmi dramatike që implikoi Presidentin Riçard Nixon dhe të tjerë në një përpjekje të fshehtë për çështjen Watergate. Një vit më vonë Nixon u bë presidenti i parë dhe i vetëm amerikan që dha dorëheqjen.

Zoti Cohen do të dëshmojë edhe nesër, me dyer të mbyllura. Ai është shpallur fajtor për tetë akuza penale, duke përfshirë shkelje të ligjit për financimin e fushatave lidhur me pagesat për dy të dashurat e dyshuara të zotit Trump. Ai ende i lirë deri sa të fillojë dënimin trevjeçar me burg në muajin maj.

Si pjesë e marrëveshjes së tij për pranimin e fajësisë, zoti Cohen vazhdon të bashkëpunojë me prokurorët federalë në Nju Jork të cilët po hetojnë rreth interesave të biznesit të zotit Trump si dhe për miliona dollarë donacionesh në favor të komisionit të inaugurimit presidencial.

Cohen përgatitet të akuzojë Trumpin për një varg çështjesh

Raportimet e mediave amerikane kanë bërë të ditur se Micheal Cohen, ish-avokati personal i presidentit amerikan, Donald Trump, planifikon të dëshmojë para Kongresit amerikan më 27 shkurt, se Trump ka pasur njohuri paraprake për publikimin e emailave që do të dëmtonin rivalen e tij, Hillary Clinton në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Duke cituar një draft të dëshmisë, një varg mediash kanë thënë se Cohen, po ashtu ka planifikuar t’i tregojë një Komiteti të Dhomës së Përfaqësuesve, se Trump ka udhëhequr negociatat për një projekt në Moskë gjatë fushatës presidenciale, pavarësisht pse ai ka deklaruar se nuk ka interesa biznesore në Rusi.

Në një dëshmi të përgatitur para Komitetit për Reforma dhe Mbikëqyrje në Dhomën e Përaqësuesve, Cohen e ka quajtur Trumpin, “racist” dhe “mashtrues” dhe ka thënë se do të ofrojë dokumente për të dëshmuar pretendimet e tij lidhur me presidentin.

Cohen, i cili fillimisht pati deklaruar zëshëm besnikërinë e tij ndaj Trumpit, duke thënë se do të “merrte plumb” për të, ka pranuar fajësinë muaj më parë se ka shkelur ligjin për financa të fushatës, duke thënë se në to kanë qenë të përfshira edhe para për të blerë heshtjen e dy grave, me të cilat Trump ka pasur lidhje.

Cohen po ashtu ka thënë se është fajtor, meqë ka gënjyer Kongresin në një rast të ndarë, me ç’rast ai pati bërë të ditur më shumë informacione për negociatat në mes të organizatës së Trumpit dhe zyrtarëve rusë për të ndërtuar një rrokaqiell në Moskë.

Në një deklaratë të publikuar më 26 shkurt, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders ka përsëritur deklaratat e mëparshme duke e akuzuar Cohenin se është gënjeshtar.

Ajo ka thënë se është “qesharake që dikush do të dëgjojë fjalën e Cohenit, që tani është i dënuar, dhe është patetike që ai të ketë edhe një mundësi për të shpërndarë gënjeshtrat”./rel

Trump: K.Veriore mund të jetë “fuqi e madhe” pa armë bërthamore

Koreja Veriore mund të bëhet “fuqi e madhe ekonomike” nëse heq dorë nga armët bërthamore, ka thënë presidenti amerikan, Donald Trump.

Ai ka shtuar në një postim në Twitter se ky komb “ka potencial për rritje më të shpejtë sesa secili komb tjetër”.

Komentet e tij kanë ardhur vetëm disa orë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë se Phenjani vazhdon të përbëjë kërcënim.

Presidenti amerikan dhe lideri verikorean, Kim Jong-un do të takohen për herë të dytë më 27-28 shkurt në Hanoi të Vietnamit.

“Të dyja palët presim vazhdimësi të përparimit që është bërë në samitin e parë në Singapor”, ka thënë Trump, duke iu referuar samitit të parë, që kanë zhvilluar dy liderët vitin e kaluar.

Ai po ashtu ka thënë të dielën në një takim me guvernatorët shtetërorë, se ka zhvilluar “marrëdhënie shumë shumë të mira” me liderin verikorean.

Megjithatë, ai ka thënë se nuk është duke nxitur procesin e denuklearizimit të Koresë Veriore.

“Nuk dua t’i bëj presion askujt. Vetëm nuk dua testime. Për aq kohë sa nuk ka testime, ne jemi të lumtur”, është shprehur ai.

Samiti i mbajtur në Singapor është cilësuar historik pasi ai ka qenë takimi i parë i një presidenti amerikan në fuqi dhe një lideri nga Koreja Veriore.

Ata janë pajtuar për denukelarizim të Gadishullit Korean, megjithatë shumë pak është bërë në këtë drejtim që nga ajo kohë.

Mueller: Manafort ka shkelur ligjin disa herë me radhë

Zyra e këshilltarit të Posaçëm, Robert Mueller, i ka thënë një gjyqtari amerikan se udhëheqësi i fushatës së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, Paul Manafort, e ka thyer ligjin disa herë dhe nuk meriton “zbutje” gjatë gjykimit.

Ky rekomandim erdhi pas seancës dëgjimore të Manafortit që u bë publike më 23 shkurt.

Mueller është duke hetuar rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016, si dhe bashkëpunimin e mundshëm të ish udhëheqësit të fushatës me Moskën. Trump kishte kundërshtuar të gjitha akuzat si dhe Moska ka kundërshtuar ndërhyrjen në zgjedhjet në SHBA.

Së paku 34 persona kanë pranuar fajësinë apo janë paditur në lidhje me hetimet e Muellerit.

Manafort, po ashtu akuzohet për shpëlarje të parave dhe konspiracion apo manipulim me dëshmitarët e rastit.

Ambasadorja e SHBA-së në Kanada nominohet për ambasadore në OKB

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka nominuar të dërguarën e posaçme në Kanada, Kelly Craft për ambasadore në Kombet e Bashkuara.

“Jam i lumtur të njoftoj se Kelly Knight Craft, ambasadorja jonë aktuale në Kanada, do të nominohet për të qenë ambasadorja e re në Kombet e Bashkuara”, tha Trump në Twitter.

“Kelly ka bërë një punë të madhe në përfaqësimin e vendit tonë dhe nuk kam asnjë dyshim, nën udhëheqjen e saj vendi ynë do të përfaqësohet në nivelin më të lartë”, tha Trump.

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, në një njoftim tha se Craft “ka qenë mbrojtëse e sigurisë kombëtare dhe interesave ekonomike të SHBA-së në Kanada”, duke shtuar se ajo është shumë e kualifikuar për të ushtruar funksionin e njejtë në Kombet e Bashkuara.

Craft është bashkëshortja e miliarderit të thëngjillit Joe Craft. Të dy kishin mbështetur kandidaturën e presidentit Trump më 2016 dhe kanë qenë mbështetës edhe financiarë të Republikanëve.

Craft më 2017 ishte emëruar nga presidenti George W. Bush si delegat opsional për Kombet e Bashkuara.

SHBA anulon pjesëmarrjen e Kosovës në tetë programe të Qendrës “George Marshall”

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se janë anuluar ftesat për 14 pjesmarrës nga Kosova në tetë programe të Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë “George Marshall”.

“Ambasada e SHBA-ve mund të konfirmojë se ftesat për 14 pjesëmarrësit nga Kosova në tetë programe që fillojnë në mars dhe zgjasin deri në shtator janë anuluar” thuhet në përgjigjen e ambasadës së SHBA-së.

Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall” adreson sfidat e sigurisë ndërkombëtare dhe rajonale.

“Këto sfida do të përfshihen në këto seminare/programe” thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Kjo masë pason anulimin e vizitës së gjeneralit amerikan të Gardës Nacionale të Iowas, Timothy Orr në Kosovë, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për vendosje të taksës në produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të pezullojë taksën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës.

Por kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po e kundërshton heqjen e taksës. Ai sërish deklaroi të premten se ajo nuk do të hiqet derisa Serbia ta njohë Kosovën.​

“Edhe ne kemi dëshirë ta largojmë këtë taksë, nesër do ta kishim bërë një të tillë sikur të na njihte Serbia, por nuk bën të na vendosen kushte, pasi që nuk parashihet të shkojmë në dialog me kushte”, tha Haradinaj gjatë një vizite në komunën e Mamushës.

Taksa është bërë pengesë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi delegacioni serb ka anuluar pjesëmarrjen në këto bisedime derisa tarifa të jetë në fuqi.

Në anën tjetër, partneri i koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, përmes kryetarit të saj, Kadri Veseli ka propozuar pezullimin e taksës për një periudhë 120 ditëshe.

Scott: Kriza në Venezuelë, Serbia në anën e gabuar të historisë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Kyle Scott, ka thënë se Serbia është në anën e gabuar të historisë kur është në pyetje qëndrimi i saj ndaj krizës në Venezuelë.

“Popullin e Venezuelës e ka përfshirë uria nën sundimin e paligjshëm të regjimit diktatorial dhe më shumë se 50 vende në Amerikën Latine, Amerikën e Veriut dhe Evropën Perëndimore kanë qëndruar pranë popullit të Venezuelës dhe presidentit të përkohshëm Guaido”, tha Scott në Twitter.

Narod Venecuele gladuje pod nelegalnom vladavinom diktatorskog režima. Više od 50 država Latinske Amerike, Severne Amerike i Zapadne Evrope stale su uz narod Venecuele i privremenog predsednika Gvaida. Srbija je na pogrešnoj strani istorije. https://t.co/XfpUNTCKzl
— Ambassador Kyle Scott (@usambserbia) February 20, 2019

Rreth 50 vende nga mbarë bota e kanë njohur liderin e opozitës, Huan Guaido si president të përkohshëm të Venezuelës.

Presidenti i kontestuar, Nicolas Maduro, i cili është në pushtet që nga viti 2013, është kritikuar brenda dhe jashtë vendit për ekonominë e dobët në Venezuelë.

Ai po përkrahet nga Kina, Rusia dhe disa vende tjera.

Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se mbi tre milionë njerëz kanë ikur nga Venezuela viteve të fundit, për shkak të inflacionit të lartë dhe mungesës së ushqimeve dhe ilaçeve.

Dikur një fjalë e ndryrë në politikën amerikane, Socializmi po kthehet përsëri mes demokratëve

Për pjesën më të madhe të historisë amerikane, socializmi ishte një fjalë e ndyrë, më shumë një njollë politike sesa një përshkrim i ideologjisë politike të dikujt.

Socializmin zakonisht e lidhin me pronësinë shtetërore të mjeteve të prodhimit, komunizmin apo edhe qeveritë totalitare. Kandidatët e Partisë Socialiste në SHBA nuk kanë arritur ndonjëherë të tërheqin mbështetje popullore. Në kulmin e popullaritetit të socialistëve në vitin 1920, Eugene V. Debs mori vetëm 915.000 vota në zgjedhjet presidenciale.

Por sipas sondazheve të fundit, idetë socialiste po bëhen gjithnjë e më popullore në Shtetet e Bashkuara, deri në atë pikë sa kandidatët demokratë që kërkojnë të marrin emërimin e partisë së tyre në vitin 2020 janë duke përqafuar platforma të politikës ekonomike, tatimore dhe sociale të lidhura ngushtë me kauzën socialiste.

“Ekziston një ndjenjë ankimi se ka gjëra që amerikanët nuk i gëzojnë, si në vende të tjera të pasura,” thotë për Zërin e Amerikës, Dr. Richard D. Wolff, profesor i ekonomisë dhe autor i librit “Kuptimi i Marksizmit”. “Pra, nga njëra anë ka njerëz si miliarderi i Amazonit, Jeff Bezos ndërsa nga ana tjetër jemi ne që përpiqemi t’ia dalim, që fëmijët të mbarojnë semestrin e fundit të kolegjit”.

Sipas vlerësimeve të zotit Wolff, rreth 44 milionë amerikanë kanë borxhe studentore – një situatë që po trajtohet nga një numër në rritje demokratësh në fushatat e tyre për të marrë emërimin e partisë.

FILE – Former Democratic Presidential candidate Sen. Bernie Sanders takes the stage during the first day of the Democratic National Convention in Philadelphia, July 25, 2016.

Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, senatori Bernie Sanders nga Vermonti, një demokrat i vetë-shpallur socialist, mobilizoi një gjeneratë votuesish që kërkonin politika progresive si shkollimin falas dhe kujdes shëndetësor për të gjithë.

Megjithëse humbi në garë ndaj ish-sekretares së shtetit Hillari Klinton, popullariteti i politikave të tij e ka detyruar Partinë Demokratike të rishikojë politikat e saj konvencionale.

Edhe përpara se Sanders të shpallte kandidaturën për president të martën në zgjedhjet e partisë demokrate të vitit 2020, kandidatët e tjerë presidencialë kishin filluar të zhvendoseshin më tej vijës së majtë me propozimet e tyre për kujdesin shëndetësor, politikën e taksave dhe ndryshimet klimatike.

Sen. Elizabeth Warren, D-Mass., speaks to local residents during an organizing event, Feb. 10, 2019, in Cedar Rapids, Iowa.

Pesë nga gjashtë demokratët e Senatit që kanë shpallur kandidaturën – Cory Booker i Nju Xhersit, Kirsten Gillibrand e Nju Jorkut, Kamala Harris e Kalifornisë, Elizabeth Warren nga Masaçjuset dhe Sanders – kanë premtuar të kërkojnë “Kujdes Shëndetësor Falas për të gjithë” dikur një propozim i paimagjinueshëm për shumë demokratë për shkak të kostos së tij. Vetëm Senatorja Amy Klobuchar e Minesotës nuk ka pranuar ta përqafojë këtë koncept.

Ndërkohë, Presidenti Donald Trump dhe republikanët e tjerë vazhdimisht e përdorin termin socializëm si një damkë – duke denoncuar dhe duke tallur propozimet e ligjvënësve të rinj si Alexandria Ocasio-Cortez nga Nju Jorku, një ish anëtare e fushatës së senatorit Sanders.

Rep. Alexandria Ocasio-Cortez, D-N.Y., smiles as she speaks at an event to advocate for the Paycheck Fairness Act on the 10th anniversary of President Barack Obama signing the Lilly Ledbetter Fair Pay Act.

“Amerika nuk do të jetë kurrë një vend socialist,” tha presidenti Trump në fjalimin e tij të 5 shkurtit mbi gjendjen e vendit.

Por, pavarësisht kundërshtimit të së djathtës ndaj konceptit, sipas një sondazhi të organizatës Gallup në vitin 2018, 57 përqind e demokratëve kanë pikëpamje që favorizojnë socializmin.​

“Sigurisht, fushata e zotit Bernie Sanders në vitin 2016 pati një rol të madh në destigmatizimin e fjalës socialist”, thotë Lial Harrison, një vullnetare në Filadelfia për Alternativën Socialiste, një zinxhir grupesh më të vogla të shpërndara në mbarë vendin që pretendojnë të “luftojnë padrejtësitë” në komunitetet lokale.

“Njerëzit, njerëz të zakonshëm të klasës punëtore, thonë,” kam nevojë për një pagë minimale prej 15 dollarësh në orë, kam nevojë për kujdes shëndetësor falas për të gjithë, kam nevojë për kolegj falas – pra mendoj se jam socialist “, tha ajo për Zërin e Amerikës.

Që nga zgjedhja e presidentit Trump në vitin 2016, Socialistët Demokratë të Amerikës, grupi kryesor kombëtar i socialistëve të vetë-identifikuar, u rrit me rreth 60,000 anëtarë, krahasuar me vetëm 5,000 në vitin 2015, përpara garës së parë presidenciale të senatorit Sanders.

FILE – Sen. Bernie Sanders, I-Vt., is joined by Democratic Senators and supporters as he arrives for a news conference on Capitol Hill in Washington, Sept. 13, 2017.

Kujdes shëndetësor falas për të gjithë

Ndoshta çështja kryesore si për votuesit demokratë socialistë edhe për votuesit demokratë është kujdesi shëndetësor për të gjithë.

Kur senatori Sanders paraqiti një ligj për kujdesin shëndetësor falas për të gjithë në vitin 2013, ai nuk mundi të merrte asnjë mbështetës financiar. Sot, një projekt-ligj i ngjashëm në Dhomën e Përfaqësuesve, propozuar nga ligjvënësja republikane progresiste, Pramila Jayapal, një demokrate nga shteti i Uashingtonit, pritet të ketë mbi 100 mbështetës deri në kohën kur ligji të paraqitet zyrtarisht.

Sipas analistëve politikë, kujdesi shëndetësor falas për të gjithë është bërë një provë për kandidatët presidencialë demokratikë për angazhimin e tyre ndaj ideve të majta.

“Natyrisht nuk është e njëjta situatë me atë kur Bernie konkurronte kundër Klintonëve të mjerë”, thotë Bob Muehlenkamp, një delegat i kandidatit Sanders në vitin 2016 dhe bashkëkryesues i fushatës Sanders në Merilend.

“Ishte një vendim i lehtë për njerëzit. Ka shumë njerëz të mirë që konkurrojnë,” tha ai duke iu referuar numrit të madh të demokratëve që tashmë kanë shpallur kandidaturën e tyre për vitin 2020 ose kanë ngritur komisione hulumtuese.

Por megjithë kundërshtimin konservator dhe të ekstremit të djathtë të konceptit, sipas një sondazhi të Gallup 2018 , 57 përqind e demokratëve kanë një pikëpamje të favorshme për socializmin.

Ka pak konsensus mes amerikanëve rreth asaj se çfarë nënkupton socializmi për politikën e Shteteve të Bashkuara. Pavarësisht republikanëve që e krahasojnë socializmin me Rusinë staliniste, socializmi i propozuar nga kandidatët e krahut të majtë nuk cenon liritë politike, por përkrahet për rritjen e taksave për të pasurit për të mbështetur politika të tilla si kujdesi shëndetësor universal, pagesat e kolegjit dhe rritja e pagës minimale.

“Të rinjtë, veçanërisht ata që nuk kaluan Luftën e Ftohtë, nuk u rritën duke pasur frikë se do të binte një bombë bërthamore e rrëzuar nga rusët djallëzorë”, thotë zoti Wolff.

Një anketë e organizatës Axios në janar tregon se votuesit e Gjeneratës Z, grup-mosha 18-24 vjeç, në të vërtetë preferojnë socializmin (61 përqind) ndaj kapitalizmit (41 përqind).

Shifrat janë dukshëm më të larta se mesatarja kombëtare, ku 39 për qind preferojnë socializmin dhe 61 për qind preferojnë kapitalizmin.

“Republikanët … i kanë përdorur shumë sulmet ndaj njerëzve si socialist apo komunist, marksist apo ndonjë si këto fjalë… për gjysmë shekulli në Shtetet e Bashkuara”, thotë zoti Wolff. “Dhe si çdo gjë tjetër, ajo nuk bëhet më tërheqëse me kalimin e kohës, por më e rëndomtë”.

FILE – Samantha Montgomery of Denver holds up a sign during an immigration rally and protest in Civic Center Park Saturday, June 30, 2018, in downtown Denver.

Shumë sondazhe sugjerojnë se mbështetja për politikat socialiste është më e lartë sesa identifikimi me termin socialist. Për shembull, një sondazh i rrjetit Fox News në janar zbuloi se 70 përqind e votuesve të regjistruar mbështesin taksat në rritje për familjet që fitojnë më shumë se 10 milionë dollarë në vit.​

“Dua që të gjithë të kenë qasje për kujdesin shëndetësor falas”, i tha Zërit të Amerikës Adriana Ortiz, studente e diplomuar në Universitetin e Pensilvanisë, e cila nuk e identifikon veten si socialiste.

“Kur mbusha 26 vjeç dhe u shkëputa nga siguracioni i nënës sime, vuajta shumë duke u përpjekur të kuptoj sistemet spitalore, sistemin mjekësor dhe arrita në pikën ku nuk dua as të shkoj tek mjeku,” thotë ajo.

Super Hëna mbi New York

NEW YORK – Pamjet jo të përditshme të fenomenit astronomik të quajtur Super Hëna mbrëmë i shijuan edhe qytetarët e New Yorkut në SHBA.

Super hëna e përgjakur e kaltër paraqet një dukuri të trefishtë astronomike, apo ndërthurje të tre fenomeneve qiellore të cilat paraqiten së bashku në qiell, që njihen si Super Hëna, Hëna e Përgjakur dhe Hëna e Kaltër.

Super Hëna është një dukuri kur hëna e plotë i afrohet tokës më shumë se zakonisht. Ky është një fenomen kur hëna duket 14 për qind më e madhe dhe 30 për qind me shkëlqim më të fuqishëm se zakonisht.

Presidenti Trump i bën thirrje ushtrisë së Venezuelës të braktisë Nicolas Maduron

Presidenti Donald Trump, në një fjalim që mbajti në Miami të hënën, bëri thirrje që t’i jepet fund socializmit në Venezuelë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara kërkojnë një tranzicion paqësor të pushtetit, por të gjitha opsionet janë të hapura.

Presidenti Trump, u bëri thirrje në Miami, ushtarëve venezuelianë të shpërfillin urdhërat e Nicolas Maduros dhe të pranojnë ofertën e amnistisë të bërë nga kreu i asamblesë kombëtare, Juan Guaido, i cili tani njihet si presidenti i Venezuelës nga Shtetet e Bashkuara dhe rreth 50 vende të tjera.

“Ju nuk do të gjeni port të sigurt, asnjë dalje të lehtë dhe asnjë rrugëdalje. Ju do të humbni gjithçka”, u tha ai.

Presidenti Trump paralajmëroi gjithashtu anëtarët e ushtrisë venezueliane që të mos bllokojnë ndihmën e huaj për vendin.

Tre aeroplanë ushtarakë të SHBA të ngarkuar me ndihma humanitare për Venezuelën u ulën në Cucuta të Kolumbisë të shtunën, duke shtuar tonelata me ushqime dhe ilaçe, që presin të kalojnë kufirin.

Sidoqoftë, ndihma e dërguar nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera nuk ka arritur asnjë venezuelian, por është grumbulluar në Kolumbi, Brazil dhe Curacao.

Nicolas Maduro thotë se ndihma është e panevojshme dhe e paligjshme dhe se lejimi i saj për të hyrë në Venezuelë do të nënkuptonte një pushtim ushtarak nga ana e SHBA-së.

Venezuela vuan nga mungesa e ushqimit, ilaçeve dhe sende të tjera të nevojave të përditshme dhe ka gjithashtu shkallën më të lartë të inflacionit në botë. Tre milionë njerëz – rreth 10 për qind e popullsisë – kanë ikur nga vendi.

Paralajmërimet e Donald Trumpit për socializmin, se është “vetëm një pushtet për klasën sunduese”, synonin gjithashtu që ai të grumbullojë bazën e tij politike, ndërsa presidenti ka përpara fushatën e rizgjedhjes vitin e ardhshëm.

“Nuk ka asgjë më pak demokratike se socializmi dhe Amerika kurrë nuk do të jetë një vend socialist”, – deklaroi presidenti Trump.

“Nuk ka dyshim se fjalimi ishte pjesë e fushatës së tij elektorale dhe ai nuk fliste për popullin venezuelian, por për votuesit në Florida. Kjo është zhgënjyese”, thotë Dany Behar, një ekonomist nga Venezuela në Institutin Brookings, transmeton VOA News.

Bernie Sanders njofton kandidaturën për zgjedhjet presidenciale

Listës së demokratëve që duan të përballen me Presidentin Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, iu shtua të martën edhe senatori Bernie Sanders, i cili njoftoi pjesëmarrjen në garë.

Zoti Sanders u përpoq të siguronte emërimin e Partisë Demokrate në zgjedhjet e vitit 2016, por ai e humbi garën brenda partisë me ish Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton.

77-vjeçari Sanders mundi të sigurojë mbështetje të madhe, pasi bëri të njohura planet për ta bërë arsimin e lartë falas dhe premtoi që qeveria ta zgjerojë rolin e saj, për t’u siguruar shërbim shëndetësor të gjithë amerikanëve.

Bernie Sanders hyn në garë krahas me një një numër të madh demokratësh, të cilët tashmë e kanë shpallur kandidaturën një vit para se të fillojë periudha e zgjedhjeve paraprake të 2020-ës.

Në mesin e demokratëve që kanë deklaruar kandidaturën për zgjedhjet presidenciale janë senatorët Elizabeth Warren, Cory Booker, Amy Klobuchar, Kristen Gillibrand dhe Kamala Harris.

Senatori i shtetit verilindor të Vermontit e njoftoi kandidaturën të martën në mëngjes, përmes një emaili dërguar përkrahësve të tij, ku kërkonte regjistrimin e 1 milion njerëzve, për të filluar një lëvizje të bazës së partisë, për t’iu kundërvënë interesave speciale.

Zoti Sanders, një kritik të vazhdueshëm i Presidentit Trump, shkruan në email se Donald Trump është “presidenti më i rrezikshëm në historinë moderne të Amerikës”. Ai shton: “Ne do të kandidojmë kundër një Presidenti, që është gënjeshtar patologjik, një mashtrues, racist, seksist, ksenofob dhe një njeri që po e minon demokracinë amerikane, ndërsa na udhëheq drejt autoritarizmit.”

Bernie Sanders është në mesin e politikanëve, të cilët në anketat e publikut, kryesojnë listën e kandidatëve të mundshëm demokratë për zgjedhjet e 2020-ës, por ai përballet me sfida nga një grup i madh demokratësh të tjerë me pikëpamje progresive, të cilët mbështesin shumë nga çështjet që zoti Sanders solli në Partinë Demokrate në fushatën zgjedhore të 2016-ës.

Numri i madh i liberalëve që janë në garën e demokratëve, mund t’ia bëjë të vështirë zotit Sanders, që të sigurojë të njëjtën mbështetje që pati në fushatën e tij të vitit 2016. Ai gjithashtu mund të përballet me pikëpyetje për çështjen e moshës dhe me faktin që Partia Demokrate po përfaqësohet në garën presidenciale nga një numër në rritje grash dhe pakicash, grupe të cilat zoti Sanders e pati të vështirë t’i siguronte si mbështetëse në garën e vitit 2016.

Djegia e mandateve – Ambasadorja e SHBA dhe ai i BE-së takim në zyrën e Ramës

Pas vendimit të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj për të djegur mandatet e tyre në Parlament, në zyrën e kryeministrit Rama kanë mbërritur për takim dy ambasadorët më të rëndësishëm në Shqipëri.

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca dhe dhe Zv/ambasadorja amerikane Leyla Moses-Ones kanë shkuar në Kryeministri për të zhvilluar një takim me kreun e qeverise.

Edhe nuk dihen detajet, por mesohet se temë e diskutimit mendohet të jetë pikërisht situata politike e krijuar në vend, pas protestës së 16 shkurtit.

Heather Nauert tërhiqet nga shqyrtimi i ofertës për ambasadore në OKB

UASHINGTON – Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se zëdhënësja Heather Nauert është tërhequr nga shqyrtimi i ofertës për ambasadore të SHBA-ve në OKB.

Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, bëri të ditur se propozon Nauert për pozitën në OKB, si zëvendësim për ambasadoren Nikki Haley, por deri te Senati nuk është dërguar nominimi formal.

“Jam falënderuese presidentit Trump dhe sekretarit shtetëror Pompeo për besimin e dhënë për faktin se më morën parasysh për pozitën e ambasadores amerikane në Kombet e Bashkuara”, theksoi Nauert në njoftim.

“Megjithatë, dy muajt e fundit kanë qenë të lodhshëm për familjen time dhe për këtë arsye është në interesin më të mirë të familjes sime që ta tërheq emrin tim nga konsiderata”, tha ajo.

Ajo hyri në rolin e zëdhënëses së Departamentit Amerikan të Shtetit në vitin 2017 pa ndonjë përvojë të politikës së jashtme dhe nën kujdesin e saj Departamenti në mënyrë dramatike shkurtoi konferencat e shtypit.

Në njoftim thuhet se Trump së shpejti do të njoftojë emrin e ri për pozitën në OKB.

Zëri i Amerikës: Presidenti Trump kërkon marrëveshje për njohje të ndërsjellë Kosovë – Serbi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u bëri thirrje presidentëve të Kosovës dhe Serbisë që të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve si një veprim thelbësor për të ardhmen e tyre.

Thirrjet ishin pjesë e një letre që presidenti Trump i dërgoi presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe një letre dërguar presidentit serb Aleksandër Vuçiç, me rastin e ditës së shtetësisë së Serbisë.

Ne letrën dërguar presidentit Thaçi, thuhet se “marrëdhëniet e fuqishme dypalëshe janë të rrënjosura në vizionin e përbashkët të një Kosove dhe Ballkani Perëndimor të qëndrueshëm, të sigurt dhe të begatë. Tani kur Kosova po fillon dekadën e saj të dytë si një vend i pavarur dhe sovran, unë i inkurajoj qytetarët e Kosovës që të përqendrohen në ruajtjen e parimeve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e mundësive ekonomike dhe tregtare. Më e rëndësishmja, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet, që është thelbësore për integrimin perëndimor të Kosovës. Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhje gjithëpërfshirëse“.

Shtetet e Bashkuara, thuhet në letër, “u mbesin partner të gjithë atyre të cilët ndajnë këto vlera dhe janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda të nevojshme për suksesin e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës“.

Ndërkaq në letrën dërguar presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, presidenti Trump thekson se “Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në përkrahjen ndaj angazhimit tuaj për të thelluar bashkëpunimin rajonal dhe në veçanti për përpjekjet tuaja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ndërsa u takon palëve që të arrijnë një marrëveshje që mund ta mbështesin të dyjat, vlerësojmë se njohja e ndërsjellë duhet të jetë element thelbësor i normalizimit afatgjatë të marrëdhënieve. Një marrëveshje e tillë historike me njohje të ndërsjellë në thelbin e saj, do të ndërtonte rrugën për synimet e Serbisë për integrime evropiane dhe rritje ekonomike“, thuhet në letër.

Në dhjetor të vitit që lamë pas presidenti Trump u kishte shkruar të dy presidentëve duke bërë thirrje që të shfrytëzojnë kohën e duhur për të arritur një marrëveshje pajtimi ndërmjet tyre, duke theksuar se “do të mirëpriste të dy presidentët në Shtëpinë e Bardhë, për të kremtuar atë që do jetë një marrëveshje historike“.

Por, bisedimet ndërmjet të dyja palëve mbetën të pezulluara për shkak të tensioneve politike dhe tarifave ndaj mallrave serbe që vendosi qeveria e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara disa herë kanë bërë thirrje për pezullimin e tarifave dhe kanë marrë e paralajmëruar veprime dënuese për shkak të refuzimit të qeverisë për ta bërë një gjë të tillë.

Trysnia amerikane la bërë që të shtohen përpjekjet në Kosovë për të gjetur një zgjidhje që do të shmangte dëmtimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara roli i të cilave vlerësohet i pazëvendësueshëm në proceset politike përfshirë edhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës 11 vjet më parë.

Ish shefi i FBI: Zyrtarët shqyrtuan mundësinë e shkarkimit të presidentit

Administrata e Presidentit Donald Trump reagoi ndaj komenteve të një ish-drejtori në detyrë të FBI-së, i cili tha se dy vjet më parë, zyrtarët e lartë të zbatimit të ligjit po shikonin mundësinë e përdorimit të një amendamenti kushtetues për të hequr presidentin, pasi ai kishte shkarkuar drejtorin e atëhershëm të FBI-së James Comey.

Ish zyrtari Andrew McCabe, në një intervistë për televizionin CBS News, tha gjithashtu se ai hapi një hetim ndaj presidentit për shkak të shqetësimit se hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller rreth lidhjeve ndërmjet fushatës Trump dhe Rusisë do të rrezikohej nëse ai do të shkarkohej.

“Isha shumë i prokupuar për ta vënë çështjen e Rusisë në një terren absolutisht të fortë dhe në mënyrë të pashlyeshme”, i tha zoti McCabe intervistuesit të televizionit CBS, Scott Pelley. “Qëllimi ishte që, nëse më hiqnin me shpejtësi ose më shkarkonin apo transferonin, çështja të mos mbyllej ose të shuhej pa gjurmë”, tha ai.

Departamenti i Drejtësisë, i cili mbikëqyr FBI-në, e quajti shpalosjen e fakteve nga zoti McCabe “të pasaktë dhe faktikisht të gabuar”. Në një deklaratë, departamenti thotë gjithashtu se inspektori i përgjithshëm i tij gjeti se zoti McCabe “në shumë raste nuk ua tregoi të vërtetën autoriteteve federale dhe kjo çoi në shkarkimin e tij nga posti në krye të agjencisë.”

Pak pas përfundimit të intervistës së zotit McCabe, Presidenti Trump e quajti ish-zyrtarin “një turp për FBI-në dhe një turp për vendin tonë”.

Presidenti Trump përmendi në Twitter zgjedhjen e tij në vitin 2016 në garë me demokraten Hillari Klinton, duke thënë: “Ish-drejtori në detyrë i FBI-së, Andrew McCabe, tashmë i larguar me turp, pretendon të jetë ‘një engjëll i vogël’, kur në të vërtetë ishte pjesë e madhe e skandalit të Mashtrueses Hillary që shpiku çështjen e Rusisë, si dhe një kukull e James Comey-t, që nxirrte lajme për mediat”.

Në mars 2018, Jeff Sessions, në atë kohë Prokuror i Përgjithshëm, e shkarkoi zotin McCabe, duke e privuar atë nga përfitimet e pensionit të plotë.

Bloomberg: Trump, presidenti më ksenofob

VOAL – “Historia amerikane dhe ëndrra amerikane janë nën sulmin e presidentit amerikan, vështirë për t’u besuar, por presidenti më ksenofob i jetës sonë vjen nga kryeqyteti i emigracionit në SHBA, qyteti i Nju Jorkut”: miliarderi Michael Bloomberg , ish-kryebashkiaku i Big Apple, ka sulmuar kështu Donald Trump në një ndërhyrje në Miami (Florida) që ‘dukej një provë për përfshirjen e tij të mundshme për në garën drejt Shtëpisë e Bardhë, në mesin e demokratëve. ansa


Send this to a friend