Rishikimi i hetimeve rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara nga Departamenti amerikan i Shtetit, tani ka kaluar në fazën e hetimeve penale, kanë raportuar mediat amerikane.
Një person që ka folur në kushte anonimiteti për agjencinë e lajmeve Reuters, ka mohuar të deklarojë nëse është krijuar ndonjë juri e madhe për këto hetime.
Raportimet e para rreth kësaj çështjeje janë parë në të përditshmen amerikane, The New York Times.
Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr ka nisur një rishikim të hetimeve më herët gjatë vitit, pas ankesave që ka bërë presidenti amerikan, Donald Trump se fushata e tij është shënjestruar gabimisht nga inteligjenca amerikane dhe agjencitë për zbatim të ligjit në zgjedhjet e vitit 2016.
Demokratët dhe disa ish-zyrtarë për zbatim të ligjit kanë thënë se Barr është duke shfrytëzuar Departamentin e Drejtësisë për të ndjekur teori konspirative pa substancë, nga të cilat mund të përfitojë politikisht presidenti republikan si dhe të dëmtohen hetimet e kryera për Rusinë nga këshilltari special, Robert Mueller.
Në kuadër të hetimeve të tij, Barr u ka kërkuar ndihmë zyrtarëve britanikë dhe atyre australianë të drejtësisë, si dhe ka vizituar dy herë Romën, për takime me agjentë të inteligjencës, në mënyrë që të mësojë më shumë për njerëzit e përmendur në raportin e Muellerit.
Hetimet e Muellerit patën gjetur se Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 në të mirë të Trumpit, çka ka rezultuar me ngritje të padive penale për disa ish-ndihmës të fushatës së presidentit. Mirëpo Mueller ka thënë se nuk ka pasur të dhëna të mjaftueshme për të prezantuar komplot kriminal për Rusinë.
Barr ka emëruar Prokurorin, John Durham për të udhëhequr rishikimin e hetimeve, rreth asaj nëse agjenci amerikane të inteligjencës apo ato për zbatim të ligjit kanë vepruar në përputhje me ligjin kur kanë hetuar lidhjet e mundshme në mes të fushatës së Trumpit dhe Rusisë, veprime të cilat më pas kanë rezultuar me hetimet e Muellerit.
Në prill, Barr u pati thënë anëtarëve të Kongresit se beson që në fushatën e Trumpit më 2016 ka ndodhur një “spiunim”.
“Pyetja është nëse është planifikuar në mënyrë adekuate. Nuk po them se ka qenë në mënyrë jo të duhur. Mirëpo më duhej ta hetoj atë”.
Trump i cili i cilëson hetimet rreth Rusisë si “gjueti shtrigash” dhe mashtrim, ka thënë se zyrtarët amerikanë kanë nisur hetimet për të dëmtuar atë në fitoren e pozitës së presidentit në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht pse ai dhe mbështetësit e tij nuk ofrojnë të dhëna për këtë pretendime.
Aktualisht Trump është duke u përballur edhe me një hetim tjetër të demokratëve për shkarkim të tij, pasi një informator ka treguar detaje rreth bisedës së presidentit amerikan me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy më 25 korrik, në të cilin Zeleskiyt i kërkohet të kryejë hetime për ish nën-presidentin amerikan, Joe Biden dhe djalin e tij Hunter.
Hetimet e Dhomës së Përfaqësuesve mund të rezultojnë me gjykim në Senat rreth asaj nëse Trump duhet të largohet nga zyra e presidentit.
Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keqbërje”.
Kjo është hera e katërt në historinë amerikane që ka nisur një procedurë për shkarkim të presidentit, ndonëse asnjëri prej presidentëve nuk është larguar nga pozita përmes këtij procesi.