VOAL

VOAL

Presidenti Trump dhe raportet me udhëheqësit botëror

Cindy Sain

Presidenti Donald Trump ka marrëdhënie të tensionuara me aleatët e NATO-s, por duket se mban lidhje më të ngrohta me një numër udhëheqësish jo demokratë, përfshirë Kim Jong Unin e Koresë së Veriut, Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan dhe atë rus, Vladimir Putin. Megjithë këtë, një anketë e kohëve të fundit tregon se një shumicë e konsiderueshme e amerikanëve, është për një politikë të jashtme tradicionale, të mbështetur tek aleancat e fuqishme ushtarake, tregëtia e lirë dhe promovimi i demokracisë e të drejtave të njeriut në botë.

Presidenti Donald Trump ka një qëndrim të tijin, të pazakontë në politikën e jashtme. Ai shpesh përdor fjalë të ashpra për NATO-n dhe aleatë të tjerë tradicionalë të Shteteve të Bashkuara gjë që u vu re kur sulmoi udhëheqësin e Kanadasë, i cili u kap në video në një takim të NATO-s në Londër, duke ironizuar zotin Trump.

Megjithatë ai shpesh vlerëson udhëheqësit autoritarë, si presidentin rus, Vladimir Putin dhe atë kinez Xi Jinping, të cilin e ka quajtur “një njerpi të mirë me punë të vështirë”, në Twitter.

Edhe takimet e zotit Trump me udhëheqësin koreano-verior Kim Jong Un janë shumë ndryshe nga ato të paraardhësve të tij, ashtu si edhe fakti që ai i quajti “të bukura” letrat e Kimit.

Dhe mendoj se do të keni një të ardhme të mrekullueshme me vendin tuaj, një udhëheqës të madh”, është shprehur ai.

Frances Brown, që ka punuar për Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për administratat e presidentëve Obama dhe Trump, thotë se duket se zotit Trump i pëlqejnë njerëzit e fortë autoritarë.

Mendoj se shpesh ata ia bëjnë qejfin Presidentit Trump personalisht dhe atij i pëlqen një gjë e tillë. Problemi është se gjithë qeveria e tij, është kundër këtyre udhëheqësve me grusht të hekurt me tendenca anti-demokratike”, thotë Frances Brown e Fondacionit Carnegie për Paqe Ndërkombëtare.

Dhe anketat tregojnë se shumë amerikanë kanë pikëpamje më tradiocionale të politikës së jashtme.

Anketa e vitit 2019 e Këshillit të Çikagos, tregon se 78 për qind mendojnë se Shtetet e Bashkuara duhet të mbajnë të njëjtën mbështetje për NATO-n ose ta rrisin atë dhe pothuajse 60 për qind besojnë se promovimi i demokracisë dhe të drejtave të njeriut në botë, e bën më të sigurt Amerikën.

Prandaj duket se amerikanët e refuzojnë me forcë largimin nga aleancat globale, thotë ish-ambasadori amerikan në NATO, Ivo Daalder.

Vetëm 20 për qind e amerikanëve mendojnë ashtu si presidenti, pra që nga aleancat përfitojnë vetëm partnerët. E njëjta gjë është e vërtetë për tregëtinë”.

I pyetur nëse politika e jashtme e zotit Trump do të jetë faktor për votuesit amerikanë në zgjedhjet e vitit 2020, një ekspert tha se disa mund ta gjykojnë si çështje karakteri.

Mendoj se ndoshta këtë radhë më shumë se më parë, njerëzit do të gjykojnë karakterin dhe mënyrën sesi presidenti sillet me aleatët dhe botën”, thotë Dina Smeltz, e Këshillit të Çikagos për Çështje Globale.

Qëndrimi i zotit Trump ndaj politikës së jashtme mund të mos jetë vendimtar në kutinë e votimit, duke qenë se amerikanët përmendin kujdesin shëndetësor, ekonominë dhe emigracionin si çështje me përparësi për ta.

Astronautja amerikane Christina Koch vendos rekord të ri në hapësirë

Astronautja amerikane Christina Koch vendosi të shtunën një rekord të ri për fluturimin më të gjatë në hapësirë të kryer nga një grua. Rekordi i mëparshëm ishte 288 ditë dhe ishte vendosur nga ish-komandantja e Stacionit Hapësinor Peggy Whitson mes viteve 2016-2017. Dyzet vjeçarja Christina Koch, me profesion inxhiniere elektrike nga Livingstoni i Montanës mbërriti në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor më 14 Mars. Zonja Koch pritet të qëndrojë aty plot 328 ditë, ose afro 11 muaj, përpara se të kthehet në Tokë. Misionet janë zakonisht gjashtë muajore, por NASA njoftoi në muajin prill se do ta zgjasë misionin deri në shkurt.

Rekordi amerikan për fluturimin më të gjatë në hapësirë është 340 ditë i vendosur nga astronauti Scott Kelly mes viteve 2015-2016. Rekordi botëror është 15 muaj i vendosur në vitet 1990 nga një astronaut rus në ish-stacionin hapësinor Mir.

Misioni i zgjatur i Christina Koch-ut do të ndihmojë NASA-n të mësojë më shumë në lidhje me efektet e fluturimeve të gjata në hapësirë, të dhëna këto të nevojshme sipas zyrtarëve të NASA-n, për të mbështetur misionet e ardhshme për kërkime më të thelluara në hapësirë, në Hënë dhe Mars. zëri i amerikës

Gjyqi në Senat, çfarë mund ta zgjidhë ngërçin?

Masood Farivar

Më shumë se një javë nga dita kur Dhoma e Përfaqësuesve miratoi ngritjen zyrtarisht të akuzave që synojnë shkarkimin e Presidentin Donald Trump, procesi i gjykimit në Senat mbetet i bllokuar. Zoti Trump akuzohet për abuzim me detyrën dhe pengimit të hetimeve që po kryente Kongresi mbi këtë çështje.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell ka thënë se ai dëshiron ta nisë procesin gjyqësor sapo ligjvënësit të kthehen nga pushimet, në muajin janar, por demokratët kërkojnë paraprakisht një marrëveshje për të marrë në pyetje disa dëshmitarë si dhe për t’i dorëzuar Senatit dokumenta të rëndësishme për procesin.

Mes polemikash se si mund të ecet përpara, palët po sjellin në vëmendje gjyqin e zhvilluar në Senat pas ngritjes së akuzave për shkarkim të ish-Presidentit Bill Clinton. Ato akuzojnë njëra-tjetrën për shmangie ndaj asaj që e konsiderojnë si precedent i vendosur nga ai gjykim. Demokratët e Kongresit janë shprehur kritik ndaj një deklarate të zotit McConnell se ai do të koordinojë procesin gjyqësor në Senat me Shtëpinë e Bardhë dhe se të bëjë gjithçka që mundet për ta liruar nga akuzat zotin Trump.

Duke e quajtur procesin për shkarkimin e presidentit “politik”, zoti McConnell ka thënë se ai nuk do të jetë “i paanshëm” në gjykim. Kjo sipas kritikëve bie ndesh me një betim për paanshmëri që të gjithë senatorët duhet të bëjnë përpara se të nisë gjyqi.

Në mënyrë që gjykimi të fillojë zyrtarisht, Senati i përbërë nga 100 anëtarë duhet të miratojë me shumicë të thjeshtë një rezolutë që autorizon procedurën. Por për ta bërë këtë, Dhoma e Përfaqësuesve duhet të dërgojë akuzat.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi ka thënë se nuk ka në plan t’i çojë akuzat Senat dhe se nuk do të zgjedhë ata që do të luajnë rolin e prokurorëve në procesin e gjykimit, “derisa të dihet se çfarë lloj gjykimi do të zhvillojë Senati”, siç është shprehur ajo.

Por zoti McConnell refuzon të pajtohet me këto kërkesa pa nisur gjykimi dhe ka sjellë në vëmendje si precedent gjyqin zhvilluar në vitin 1999 ndaj ish-Presidentit Clinton.

Bill Clinton impeachment

Çfarë ndodhi gjatë gjykimit të zotit Clinton?

Gjyqi ndaj Bill Clintonit, i dyti i këtij lloji në historinë amerikane, nisi më 7 janar 1999, më shumë se dy javë pasi ndaj tij u miratuan akuzat në Dhomën e Përfaqësuesve, se kishte gënjyer nën betim një juri të madhe si dhe kishte penguar drejtësinë lidhur me një hetim për një skandal seksual.

Gjyqi nisi pasi u arrit një marrëveshje mes republikanëve që kontrollonin Senatin dhe pakicës demokrate.

Pastaj këtij momenti u miratuan dy rezoluta të tjera të cilat rregullin mënyrën e gjykimit në Senat.

Fillimisht u miratua unanimisht një rezolutë mbi procedurat e gjykimit. Ajo u dha të dyja palëve kohë të barabartë, deri në 24 orë, për të paraqitur argumentet e tyre, ndërsa senatorëve që shërbenin si gjykatës, 16 orë për të pyetur palët.

Më pas, ndërsa kishte nisur gjykimi, Senati miratoi kryesisht sipas linjave partiake, planin republikan për kufizimin e dëshmive. Dëshmitarët, praktikantja e Shtëpisë së Bardhë Monica Lewinsky, ndihmësja e zotit Clinton Sidney Blumenthal si dhe avokati nga Uashingtoni Vernon Jordan, zhvilluan seanca me dyer të mbyllura. Senatit iu shfaqen vetëm disa pjesë të filmuara të këtyre dëshmive. Në fund, pesha e dëshmisë së tyre dështoi të bindë Senatin për të fajësuar zotin Clinton.

Çfarë duan demokratët?

Hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve ndaj zotit Trump nisi pasi një informator i shërbimeve të zbulimit akuzoi presidentin Trump se i kishte bëri presion presidentit të Ukrainës për të hetuar kundërshtarin e tij politik, Joe Biden, djalin e tij Hunter Biden, si dhe mbi një teori të pabazuar në fakte, se Ukraina kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Trump Impeachment

Ndërsa më shumë se një 12 persona dëshmuan gjatë hetimit, zoti Trump ndaloi zyrtarë të tjerë të rangut të lartë që të dëshmonin apo t’i dorëzonin dokumente Kongresit. Sipas demokratëve zyrtarët që nuk u lejuan të dëshmojnë kishin informacion të dorës së parë mbi atë që ndodhi.

Në një letër drejtuar zotit McConnell javën e kaluar, udhëheqësi i pakicës në Senat Chuck Schumer foli për 4 zyrtarë kyç që duhet të dëshmojnë, përfshirë shefin në detyrë të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë Mick Mulvaney si dhe ish-Këshilltarit e Sigurisë Kombëtare John Bolton. Përveç kësaj, ai kërkoi dhe dokumente që sipas tij hedhin dritë mbi presionin e supozuar që zoti Trump ushtroi ndaj Kievit që të nisë hetimet, si dhe rreth ndalimit të përkohshëm nga administrata të një ndihme ushtarake të nevojshme për Ukrainën.

Çfarë duan republikanët?

Republikanët thonë se ata dëshirojnë të ndjekin modelin Clinton, të hapin procedurat në janar dhe ta marrin vendimin nëse do të thërrasin dëshmitarët kur gjyqi të jetë duke u zhvilluar.

“Ajo që ishte e mjaftueshme për Presidentin Clinton është e tillë edhe për Presidentin Trump”, tha zoti McConnell në programin televiziv “Fox & Friends” të së hënës.

Trump Impeachment Senate Trial

Ai këmbënguli se “nuk është përjashtuar thirrja e dëshmitarëve”. Por zoti McConnell nuk dha ndonjë shenjë nëse ishte është dakort me thirrjen e katër dëshmitarëve të kërkuar nga demokratët.

Çfarë kërkon Presidenti Trump?

Pasi ishte fillimisht në favor të një gjyqi të shpejtë, Presidenti Trump duket se ka ndryshuar kursin duke mbështetur tashmë një procedurë më të plotë që do ta shfajësonte atë plotësisht.

000_1N6676

Presidenti Trump kishte përmendur më parë mundësinë e thirrjes së zonjës Pelosi, të kryetarit të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve Adam Schiff, të Joe Biden dhe djalit të tij Hunter, si dhe shumë personave të tjerë për të dëshmuar, ndërkohë që i akuzonte demokratët se po kërkonin me ngulm dëshmitarë që do të forconin çështjen e tyre të dobët ligjore, sipas tij.

E vetmja mënyrë për ta bërë këtë që të funksionojë është të krijohet një lloj presioni publik për të kërkuar thirrjen e dëshmitarëve, por McConnell i ka votat dhe mund ta drejtojë këtë gjyq si të dëshirojë”, shkruante Presidenti Trump në Twitter të martën.

Çfarë domethënieje ka e gjithë kjo për gjyqin?

Derisa t’i dorëzohen akuzat, Senati nuk mund ta nisë gjyqin, duke i lënë kështu procedurat në një rreth vicioz. Zoti McConnell gjendet nën një presion në rritje për të arritur një marrëveshje, qoftë edhe vetëm për të mbrojtur besueshmërinë institucionale të Senatit. Por duke patur parasysh ndasitë e tanishme partiake, janë të pakta prishmëritë që senatorët të bien dakort për një kuadër rregullash të ngjashme me ato të gjyqit për Presidentin Clinton.

Problemi është se këtë radhë, republikanët në veçanti janë shumë shumë më të zhurmshëm sesa ishin demokratët kur mbronin Presidentin Clinton”, thotë Jeffrey Tulis, profesor i shkencave politike në Universitetin e Teksasit në Austin.

Sa do të zgjasë gjyqi?

Një marrëveshje që mund të arrihej për dëshmitarët është ajo që përcakton kohëzgjatjen e gjyqit.

미국 역사상 탄핵 심판을 받거나 받게 된 3명의 대통령. 왼쪽부터 앤드류 존슨, 빌 클린턴, 도널드 트럼프 대통령.

Si krahasim mund të përmendim gjyqin e vitit 1868 ndaj Presidentit Andrew Johnson që zgjati rreth 80 ditë, ndërsa ai ndaj Presidentit Clinton zgjati pak më shumë se një muaj. Zoti McConnell ka thënë se shpreson që gjyqi të mos zgjasë shumë.

Atmosfera e festave në kopshtin botanik

Atmosfera e Krishtlindjes është pasqyruar përsëri në kopshtin botanik në kryeqytetin amerikan. Ekspozita e këtij viti nxjerr në pah bukurinë e kopshteve publike të Amerikës. Në këtë ekspozitë, mes të tjerash, mund të gjesh kopshte në miniaturë, shatërvanë dhe skulptura të ndërtuara nga materiale me bazë bimore. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Deborah Block sjell nga afër kopshtet e larmishme dhe trenat lodra që gjarpërojnë mes peisazheve në miniaturë.

Thomas, treni personazh i librave për fëmijë, tërheq vëmendjen e vizitorëve si Patricia Kim.

“Trenat duhen parë sepse janë diçka magjike dhe speciale për fëmijët”, thotë zonja Kim.

Në ekspozitë mund të gjesh që nga parajsat tropikale, deri tek peisazhet e shkretëtirës. Tingujt e këmbanave kanë influencuar në emërtimin e “Kullës Këngëtare” në Florida. Në këtë “Piramidë Shkencore” në kopshtin e Denverit, vizitorët mund të mësojnë për bimët. Ato janë ndërtuar me mbi 70 lloje të ndryshme bimësh, thotë Nick Nelson i kopshtit botanik.

“Në disa raste përdoren gjethe ose lëvore pemësh për muret dhe pastaj shkopinj të ndryshëm dhe boçe lisi për zbukurime përreth dritareve dhe dyerve”, thotë ai.

Për Fabian Winkler-in, kjo është hera e parë që viziton panairin.

“Jam i befasuar nga gjitha këto ndërtime me bazë bimore dhe se si të gjitha kopshtet botanike nga mbarë vendi kontribuojnë për këtë ekspozitë. Është vërtet shumë bukur”, thotë ai.

Elementi më i ri i panairit është kjo shtëpi në miniaturë e huazuar nga “Biltmore Estate” në Karolinën e Veriut. Kjo shtëpi me kopshte u ndërtua në fund të viteve 1800 dhe sot tërheq shumë turistë.

“Është prona më e madhe e ndërtuar ndonjëherë në Amerikë, por edhe një model shumë mbresëlënës që mori mbi 2500 orë pune për ta ndërtuar”, thotë Nick Nelson.

Në mes të panairit gjendet edhe pema e Krishtlindjes tetë metra e lartë. Mijëra shkurre shumëngjyrëshe të njohura si lulja e Krishtlindjes, rrethojnë monumentet e kryeqytetit amerikan po ashtu të ndërtuara me materiale bimore.

“Kemi 13 monumente të ndryshme nga kryeqyteti amerikan. Kemi përshembull ndërtesën e Kongresit, monumentin e Uashingtonit, Shtëpinë e Bardhë dhe Librarinë e Kongresit”, thotë arkitekti Nick Nelson.

Vizitorja Patricia Kim u mahnit nga imagjinata pas ekspozitës në miniaturë.

“Mesazhi kryesor është se gjithçka është organike dhe e bërë nga diçka botanike. Gjithka është e gjallë dhe i jep një kuptim të ri shprehjes se fryma e Krishtlindjes është e gjallë”, thotë ajo.

Kjo frymë është e gjallë për të gjithë gjatë sezonit të festave.

Trumpi nënshkruan ligjin për krijimin e Forcës Hapësinore

Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi projektligjin për buxhetin, i cili përfshinë edhe krijimin e Forcës Hapësinore dhe dhënien e 12 javëve pushim me pagesë për punonjësit federal me fëmijë të sapolindur. Senati i kontrolluar nga republikanët miratoi buxhetin e mbrojtjes prej 738 miliardë dollarësh të martën, pasi Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët e votoi atë javën e kaluar. Kjo javë ka qenë një nga javët më të mira dhe më të këqija të presidencës së Donald Trump-it.

Më e keqja ishte miratimi nga Dhoma e Përfaqësuesve i dy akuzave kundër Presidentit Trump pas një procesi hetimor për shkarkimin e tij, duke e bërë atë Presidentin e tretë amerikan ndaj të cilit Kongresi ka ngritur akuza.

Momenti më i mirë i tij ishte nënshkrimi i legjislacionit për krijimin e një dege të re ushtarake amerikane, atë të Forcës Hapësinore, për të mbrojtur interesat e Shteteve të Bashkuara në hapësirë, veçanërisht satelitët që përdoren për navigim dhe komunikim.

“Kemi një lajm të mirë për ju. Në emër të zonjës së parë, nënpresidentit Mike Pence, Zonjës Pence, ju urojmë të gjithëve një Krishtëlindje shumë të gëzuar dhe Vit të Ri të lumtur. Kjo është një ditë me të vërtetë historike për forcat e armatosura amerikane. Pas disa minutave, unë do të nënshkruaj me krenari investimin më të madh ndonjëherë në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara. Në fakt, mund të them edhe më të madhin deri më tani. Sot shënohet edhe një arritje tjetër e madhe, krijimi i një dege të re të ushtrisë sonë. Është një moment shumë i madh dhe i rëndësishëm. Quhet Forca Hapësinore”.

Forca Hapësinore është dega e parë e re ushtarake që kur Presidenti Harry Truman krijoi Forcën Ajrore mbi 70 vjet më parë dhe për herë të parë në historinë amerikane, dy milionë punonjës federalë do të kenë të drejtë të marrin 12 javë pushim me pagesë nëse bëhen prindër të rinj. zëri i amerikës

Presidenti Trump në qendër të debatit të kandidatëve demokratë

Shtatë kandidatët kryesor demokrat për zgjedhjet presidenciale amerikane, u përfshinë në një debat të nxehtë të enjten mbrëma, duke e cilësuar presidentin Donald Trump, si udhëheqësin më të korruptuar në historinë e vendit.

Të gjithë sfiduesit që synojnë kandidaturën demokrate për t’u përballur me presidentin Trump në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, thanë se e mbështesin miratimin e akuzave ndaj tij nga Dhoma e Përfaqësuesve, për shpërdorim të pushtetit dhe pengim të Kongresit.

“Ne duhet të përtërijmë integritetin e presidencës”, tha ish nënpresidenti Joe Biden, i cili edhe më tej kryeson në anketat kombëtare për të qenë kandidat i demokratëve. Më vonë, zoti Biden, duke komentuar ndarjen e mprehtë politike në mes të republikanëve dhe demokratëve që është thelluar në tre vitet e presidencës së zotit Trump, tha se refuzon “të pranojë pikëpamjet që ne kurrë nuk mund të bashkohemi përsëri”.

Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders, që e përshkruan veten si demokrat socialist dhe i cili renditet i dyti pas zotit Biden në shumë anketa, e quajti presidentin Trump “një gënjeshtar patologjik” i cili “i ka shitur njerëzit punonjës të këtij vendi”.

Senatorja Elizabeth Warren nga Massachusetts e përshkroi presidentin Trump si “presidentin më të korruptuar të shekullit”.

“Presidenti nuk është mbreti i Amerikës”, tha senatorja Amy Klobuchar nga Minnesota. Ajo krahasoi veprimet e presidentit Trumpit për t’i kërkuar Ukrainës që të hetojë zotin Biden dhe të birin, me skandalin e korrupsionit politik Watergate të viteve të 70-ta, që çoi në dorëheqjen e presidentit Richard Nixon, pasi u përball me shkarkimin.

Pete Buttigieg, nga South Bend, Indiana, tha se presidenti Trump “e ka bërë të qartë se nuk do të ndalet para asgjëje për të ruajtur pushtetin”.

Gjatë tërë debatit që u mbajt në universitetin në Los Angeles, kandidatët përsëritën sulmet ndaj zotit Trump si president i dështuar. Në të rrallë ata sulmuan edhe njëri tjetrin.

Zoti Biden dhe zoti Sanders, debatuan ashpër për sigurimet shëndetësore. Senatori Sanders mbrojti fuqishëm propozimin e tij për një program të përgjithshëm të sigurimit shëndetësor të drejtuar nga qeveria, ndërsa ish nënpresidenti Biden vazhdoi të bëj thirrje për reforma më të matura që do të lejonin amerikanët të bashkohen me një plan qeveritar.

Debati i radhës do të mbahet më 14 janar të vitit 2020 në universitetin Drake në Des Moines./zëri i amerikës

Dhoma e Përfaqësuesve miraton akuzat për shkarkimin e Presidentit Trump

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi të mërkurën në mbrëmje dy akuza për shkarkimin e presidentit Trump, hera e tretë në histori që një president i nënshtrohet procesit të shkarkimit në bazë të shkeljeve të parashikuara në Kushtetutë.

Votimi historik, i ndarë prerazi në vija partiake, ashtu siç është ndarë mbarë vendi për këtë çështje, e akuzon presidentin e 45 për abuzim të pushtetit të zyrës së tij, pasi i kërkoi një vendi të huaj të hetojë rivalin e tij politik për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Akuza e dytë është për pengim të hetimeve të Kongresit për këtë çështje.

Gjyqi ndaj presidentit do të zhvillohet në Senat. Nëse Senati e shpall presidentin të pafajshëm, ashtu siç pritet të ndodhë, presidenti Trump do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale me barrën e një kandidati të akuzar nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Gjyqi ndaj presidentit pritet të zhvillohet në muajin janar. Për shkarkimin e presidentit duhen dy-të-tretat e votave të Senatit prej 100 vendesh. Demokratët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, që miratoi ngritjen e akuzave, ndërsa Senatin e kontrollojnë republikanët, ku pak, ose asnjë republikan, pritet të votojë për shkarkimin e presidentit.

Gjatë ditës së mërkurë, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve debatonte rreth akuzave, presidenti Trump u shpreh përmes një postimi në Twitter se e gjitha kjo ishte “një gënjeshtër e shëmtuar e të majtës radikale, një sulm ndaj Amerikës dhe një sulm ndaj Partisë Republikane”.

Ligjvënësit demokratë thonë se Presidenti Trump duhet larguar nga detyra pasi përdori ndihmën për Ukraninën për interesat e tij personale politike.

Demokrati Jerrold Nadler është Kryetar i Komisionit Juridik në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Cili është rreziku nëse nuk veprojmë? Gjatë 94 ditëve që nga fillimi i hetimeve nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe realisht gjatë tre viteve të shkuara, një e vërtetë e padiskutueshme ka dalë: nëse nuk reagojmë ndaj abuzimit të pushtetit nga Presidenti Trump, abuzimi do të vazhdojë. Nuk mund të mbështetemi tek zgjedhjet për të zgjidhur problemin tonë kur Presidenti Trump kërcënon vetë integritetin e zgjedhjeve”, tha ai.

Nga ana tjetër, republikanët argumentojnë se telefonata e presidentit me homologun ukrainas Volodymyr Zelenskiy ishte përpjekje për të trajtuar korrupsionin në Ukraninë dhe jo për avantazhe politike në Amerikë. Ata këmbëngulin se demokratët gjatë gjithë kohës kishin në mendje shkarkimin e zotit Trump.

Debbie Lesko është ligjvënëse republikane.

“Ata paracaktuan se do ta bënin dhe e bënë pavarësisht çdo gjëje. Ata nuk kishin asnjë provë, asnjë fakt por gjithsesi vepruan në të tyren. Ata po e coptojnë këtë vend”, tha ajo.

Historikisht proceset për shkarkimin e presidentit e kanë përçarë vendin. Ndërsa pothuajse gjysma e vendit mbështet procesin ndaj zotit Trump, demokratët argumentojnë se opinioni publik është në anën e tyre.

Nancy Pelosi është kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.

“Publiku mendon se ata duhet të vendosin se kush është president i Shteteve të Bashkuara dhe jo ndonjë fuqi e huaj. Ata mendojnë se askush nuk është mbi ligjin dhe ne mendojmë kështu. Presidenti duhet të mbahet përgjegjës për abuzim pushteti dhe pengim të Kongresit”, tha ajo.

Edhe pse gjyqi në Senatin e kontrolluar nga republikanët pritet ta shfajësojë zotin Trump, duke e mbajtur atë në detyrë, republikanët thonë se procesi i shkarkimit do të ketë pasoja mbarëbotërore për diplomacinë amerikane.

Kevin McCarthy është udhëheqës i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Presidentit iu desh të publikonte për mbarë botën përmbajtjen e telefonatës. Kjo e ka dobësuar zyrën e presidentit, për këdo që vjen më pas. Cili udhëheqës botëror do të ndajë me presidentin amerikan qëndrime të vërteta dhe mirëkuptim dhe të mos frikësohet se biseda e tyre telefonike do të publikohet për tërë botën?”, tha ai.

Procesi i shkarkimit të presidentit është një moment i rrallë në historinë politike të Shteteve të Bashkuara. zëri i amerikës

Këtë javë, votimi historik mbi akuzat për shkarkimin e Presidentit

Arash Arabasadi

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë këtë javë për miratimin e dy akuzave për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Donald Trump, të rekomanduara nga Komisioni Juridik. Ka gjasa që Donald Trumpi të bëhet presidenti i tretë në historinë amerikane ndaj të cilit Kongresi ngre zyrtarisht akuza për shkarkim. Demokratët e kanë akuzuar atë për shpërdorim pushteti, duke i kërkuar Ukrainës të hetojë një nga rivalët e tij kryesorë demokratë për zgjedhjet e vitit 2020. Zoti Trump dhe përkrahësit e tij, këmbëngulin se ai nuk ka bërë asgjë të gabuar.

Dhoma e Përfaqësuesve pritet që të mbajë një votim historik këtë javë, duke ngritur zyrtarisht akuzat që mund të çojnë në shkarkimin e një presidentit. Është vetëm hera e tretë e në historinë amerikane që ndodh një gjë e tillë..

“Votojmë tani për akuzën e parë në rezolutën për shkarkimin e Presidentit Donald J. Trump për abuzim të pushtetit”, tha kryetari demokrat i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jerry Nadler në seancën e këtij komisioni.

Komisioni Juridik miratoi dy akuza: pengim i Kongresit dhe abuzim i pushtetit në dy votime që ndoqën vijën partiake, pas seancave të ashpra në ditët e mëparshme.

“Do të vijë një ditë që shumica do të kthehet në pakicë. Dhe do të ngrenë zërin për të drejtat e pakicave. Dhe unë do t’u kujtoj 2019-ën si vitin kur ata goditën të drejtat e pakicës”, tha nënkryetari republikan i komisionit, Doug Collins.

“Akuza të mjegullta për abuzim me pushtetin, pengim të Kongresit… Këto i ka bërë vetë shumica duke mos na lejuar të sjellim dëshmitarë që mund të hedhin dritë mbi akuzat”, tha kongresmeni republikan, Louie Gohmert.

“Jepini lamtumirën shumicës. Dhe ju ftojmë të merrni pjesë në inaugurimin e dytë të Presidentit Trump, në janar 2021”, tha Ken Buck, anëtar republikan i Kongresit.

Të dielën në mëngjes, në prag të votimeve në seancat e Dhomës së Përfaqësuesve, kryetari Jerry Nadler e mbrojti votimin e Komisionit Juridik.

“Ky president bëri konspiracion, kërkoi ndërhyrje të huaj në zgjedhjet e vitit2016. Ai po bën thirrje hapur për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020, dhe paraqet një kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë tonë kombëtare … A kemi një demokraci kushtetuese apo kemi monarki ku presidenti nuk i jep llogari askujt?”

Nëse anëtarët e Kongresit, votojnë siç është e pritshme pro ngritjes së akuzave, dhe ia kalojnë çështjen senatit të kontrolluar nga republikanët, anëtarë si Ted Cruz do të shërbejnë si anëtarë jurie të një procesi gjyqësor.

“I pamë akuzat për shkarkim të Dhomës së Përfaqësuesve dhe gjithë argumentat e tyre, ranë poshtë. Mendoj se ky është fillimi i fundit për këtë spektakël që po shohim në Dhomën e Përfaqësuesve. Do të kemi një proces të drejtë që nuk do të çojë asgjëkundi, sepse nuk ka fakte”, tha senatori republikan, Ted Cruz.

Dy senator me peshë thanë hapur javën e kaluar, pa i dëgjuar ende argumentat për shkarkim, se do të votojnë kundër, duke ngjallur dyshime nëse procesi i gjykimit do të jetë i drejtë.

Demokratët kërkojnë dëshminë e Boltonit në hetimet kundër Trumpit

Lideri i demokratëve në Senatin amerikan, Chuck Schumer ka propozuar marrjen e dëshmive nga katër ndihmës dhe ish-ndihmës të Shtëpisë së Bardhë, në kuadër të hetimeve për shkarkim të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Schumer i ka kërkuar udhëheqësit të republikanëve, Mitch McConnell, që në këtë proces të marrin pjesë, ish-Këshilltari për Siguri Kombëtare, John Bolton, ushtruesi i detyrës së shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë, Mick Mulvaney, ndihmësi i tij, Robert Blair, dhe zyrtari për buxhet, Michael Duffey.

Në një letër nisur republikanit McConnell, ligjvënësi demokrat ka bërë thirrje për proces gjyqësor “të drejtë dhe të sinqertë”, që sipas tij do të mund të fillonte më 7 janar.

Presidenti Trump përballet me akuza për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit, në përpjekjet e tij për të shtyrë Ukrainën që të hetojë rivalët e tij politikë, duke përfshirë ish-nën presidentin amerikan, Joe Biden, duke kushtëzuar këtë gjë me ndihmën ushtarake në vlerë të 391 milionë dollarëve për aleatin e Evropës Lindore.

Dhoma e Përfaqësuesve, që drejtohet nga demokratët, pritet të votojë këtë javë për dy artikujt rreth hetimeve për shkarkim, të cilat më pas do ta bartin procesin në Senat për gjykim, nën udhëheqjen e Shefit për Drejtësi, John Roberts.

Trump pritet të lirohet nga akuzat nga republikanët në Senat, derisa McConnel ka dhënë shenja se procesi gjyqësor do të zhvillohet me shpejtësi.

Hetimet kanë nisur pas zbulimit të një bisede të 25 korrikut në mes të presidentit Trump dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Informatori është ankuar duke pretenduar se Trump “ka përdorur pozitën e tij për të kërkuar ndihmë nga një shtet i huaj”, në prag të procesit zgjedhor për një mandat tjetër presidencial.

Trump e ka konsideruar hetimin për shkarkim si “mashtrim” mirëpo e ka pranuar se “i ka vështirësuar punën”.

Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keqbërje”.

Kjo është hera e katërt në historinë amerikane që ka nisur një procedurë për shkarkim të presidentit, ndonëse asnjëri prej presidentëve nuk është larguar nga pozita përmes këtij procesi. rel

Senati miratoi rezolutën për gjenocidin armen

Senati amerikan miratoi njëzëri një rezolutë që i cilëson si gjenocid vrasjet masive të armenëve një shekull më parë, një veprim që zemëroi Turqinë dhe u dha një goditje marrëdhënieve tashmë problematike midis Ankarasë dhe Washingtonit.

Rezoluta e përkujton si gjenocid vrasjen e 1.5 milion armenëve nga Perandoria Osmane nga viti 1915 deri në vitin 1923.

Turqia dënoi rezolutën që u miratua një muaj pas vizitës zyrtare në Shtëpinë e Bardhë të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, i cili gëzon një marrëdhënie të veçantë me presidentin Donald Trump, me gjithë problemet e shtuara që kanë dëmtuar marrëdhëniet midis dy aleatëve të NATO-s.

Presidenti Trump e kishte cilësuar takimin e tij më 13 nëntor me presidentin Erdogan si “të mrekullueshëm”, pavarësisht se nuk ishte shënuar ndonjë përparim konkret rreth mosmarrëveshjeve të thella siç është blerja e sistemeve të armëve ruse nga Ankaraja dhe pikëpamjet e ndryshme rreth Sirisë.

Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët, e kishte miratuar rezolutën me një shumicë dërrmuese në tetor. Por votimi në Senat u bllokua në mënyrë të përsëritur nga senatorët republikanë të presidentit Trump që nga takimi me presidentin turk.

“Ky është një nderim për kujtimin e 1.5 milion viktimave të genocidit të parë të shekullit të 20-të dhe hap i guximshëm në promovimin e agjendës së parandalimit. Kurrë më”, shkroi kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan.

Turqia pranon që shumë armenë që jetonin në Perandorinë Osmane u vranë në përleshje me forcat osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, por kundërshton shifrat dhe mohon që vrasjet ishin orkestruar në mënyrë sistematike dhe paraqesin gjenocid.

Ministri i jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, e quajti vendimin një “shfaqje politike” ndërsa zëdhënësi i presidentit, Ibrahim Kalin, tha se Ankaraja e dënon me forcë dhe e kundërshton atë. Rezoluta nuk është detyruese.

“Historia do t’i shënojë këto rezoluta si veprime të papërgjegjshme dhe joracionale nga disa anëtarë të Kongresit amerikan kundër Turqisë,” tha Fahrettin Altun, drejtori i komunikimeve të Turqisë.

Punonjës të Kongresit thanë se Shtëpia e Bardhë nuk dëshiron që legjislacioni të ecë përpara ndërsa negocion me Ankaranë për çështje të ndjeshme. Sidoqoftë, që nga vizita në SHBA, presidenti Erdogan në mënyrë të përsëritur ka theksuar se Turqia nuk ka ndërmend të heqë dorë nga sistemin raketor i mbrojtjes ajrore ruse S-400, duke shuar shpresat për përparim. zëri i amerikës

Komiteti i Senatit amerikan miraton sanksionet ndaj Turqisë

Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit amerikan miratoi legjislacionin për vendosjen e sanksioneve ndaj Turqisë, pas ofensivës së saj në veri të Sirisë dhe blerjes së një sistemi raketash S-400 nga Rusia.

Kjo vlerësohet të jetë masa vendimtare, e cila mund ta shtyjë presidentin amerikan, Donald Trump, të mbajë një qëndrim më të ashpër kundër Ankarasë.

“Tani është koha që Senati të mblidhet dhe të shfrytëzojë këtë mundësi për të ndryshuar sjelljen e Turqisë”, tha senatori Jim Risch, kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë.

Një tjetër republikan, senatori Rand Paul, mbajti qëndrim kundër projektligjit. Ai tha se administrata Trump e ka kundërshtuar këtë masë, sepse kjo do të dobësonte fuqinë e presidentit (Trump) dhe mund ta vështirësojë negociimin me presidentin e Turqisë, Reccep Tayip Erdogan.

Shumë ligjvënës amerikanë – republikanë dhe demokratë – janë të zemëruar me Turqinë për shkak të blerjes së sistemit rus S-400, të cilin ata e shohin si një kërcënim për sistemet e NATO-s.

Ata janë gjithashtu të zemëruar për ofensivën e Turqisë kundër luftëtarëve kurdë në Siri, të cilët deri vonë po luftonin së bashku me forcat amerikane kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Turqia ka thënë se votimi në senat nuk e ndalon atë të përdorë sistemin rus të mbrojtjes raketore. rel

Hetimet e FBI-së për Rusinë; dëshmon në Senat Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë

Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë po dëshmon sot përpara Komisionit të Ligjeve të Senatit rreth raportit të tij që nuk gjeti evidencë për anshmëri politike në fillimin e hetimeve nga FBI-ja për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane.

Michael Horowitz publikoi raportin e tij të hënën. Konkluzionet e tij hedhin poshtë pretendimin e përsëritur të Presidentit Donald Trump se hetimi i FBI-së ishte një gjueti shtrigash që synonte zhbërjen e presidencës së tij.

Presidenti Trump megjithatë u shpreh se raporti konfirmon se pati një “përpjekje për të rrëzuar” qeverinë, në një formë shumë më të keqe nga ç’e kishte menduar.

Drejtori i FBI-së Christopher Wray

Presidenti kritikoi të martën Drejtorin e FBI-së Christopher Wray, i cili tha në një intervistë për kanalin ABC News se hetimi “u çel me parapërgatitjen dhe autorizimin e duhur”. Zoti Wray gjithashtu vuri në dukje se Inspektori i Përgjithshëm Horowitz konstatoi se FBI-ja bëri disa gabime gjatë hetimit.

“Nuk di se çfarë raporti ka qenë duke lexuar Drejtori aktual i FBI-së, Christopher Wray, por jam i sigurtë se nuk është raporti që kam marrë unë”, shkruajti Presidenti Trump në Twitter. “Me këtë lloj sjelljeje, ai nuk do t’ia arrijë kurrë ta ndreqë FBI-në, e cila është goditur keqazi, megjithëse aty punojnë disa prej burrave dhe grave më të shkëlqyera”.

Gjatë një interviste të transmetuar të martën me korrespondentin e NBC News, Pete Williams, Prokurori i Përgjithshëm William Barr përsëriti mendimin e tij se FBI-ja mund të ketë vepruar “me qëllim të keq” kur zhvilloi hetime nëse fushata Trump pati bashkëpunuar fshehtazi me Rusinë.

“Mendoj se vendi ynë u kthye me kokë poshtë për tre vite, bazuar në një version krejtësisht të rremë, i cili u fry dhe u nxit nga një shtyp krejtësisht i papërgjegjshëm”, tha zoti Barr. “Mendoj se pati abuzime të mëdha… dhe një sjellje të pashpjegueshme që nuk tolerohet në FBI”.

Prokurori i Përgjithshëm William Barr

Komentet e Prokurorit të Përgjithshëm duket se do ta nxisin më tej debatin rreth pyetjes nëse ai vërtet po vepron në mirëbesim, apo si një mbështetës i Presidentit Trump.

Zoti Horowitz shprehet në raportin e tij se FBI-ja ishte e justifikuar në çeljen e hetimit në vitin 2016 për lidhjet e dyshuara mes anëtarëve të fushatës elektorale Trump dhe Rusisë. Raporti konkludon se zyrtarët patën evidencë të mjaftueshme për të autorizuar një hetim.

Shtëpia e Bardhë: Akuzat e demokratëve e forcojnë presidentin

Presidenti i SHBA Donald Trump do t’u përgjigjet akuzave të demokratëve për shkarkimin e tij, kur procedura të kalojë në fazën e gjykimit në Senat, ku republikanët kanë shumicën, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Reagimi vjen pas shpalljes të martën nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve të dy akuzave: shpërdorim të pushtetit dhe pengim të Kongresit. Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar vetëm tre herë në historinë e saj për shkarkimin e një presidenti amerikan.

Shtëpia e Bardhë ka zgjedhur të mos ngrejë argumente kundër akuzave në prag të hedhjes së tyre në votë në Dhomën e Përfaqësuesve, që pritet të bëhet së shpejti.

“Presidenti do t’u përgjigjet këto akuza të rreme në Senat dhe pret që ai ta nxjerrë plotësisht të pafajshëm, sepse nuk ka bërë asgjë të gabuar, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham në një deklaratë.

Deklarata nuk sqaron se si do t’u përgjigjet akuzave Presidenti. E pyetur në një intervistë për Fox News nëse zoti Trump do të donte të dëshmonte në Senat, zonja Grisham tha se nuk ishte në dijeni.

“Unë nuk dua t’i paraprij asaj që ai mund të bëjë por jam e sigurt se ne do të marrim pjesë në një farë mënyre, sigurisht me këshilltarin tonë,” tha ajo. “Gjithashtu do të sjellim dëshmitarët tanë, që ne shpresojmë se ata do të marrin pjesë”.

Aparati politik i Shtëpisë së Bardhë dhe i Presidentit Trump, që përfshijnë fushatën e tij të rizgjedhjes dhe Komitetin Kombëtar Republikan, kanë zgjedhur të sulmojnë procesin e shkarkimit në vend që të debatojnë faktet e paraqitura nga demokratët.

Presidenti Trump dhe aleatët e tij e kanë quajtur procesin partiak, duke thënë se atij i mungon paanshmëria. Ata i përshkruajnë akuzuesit demokratë të Presidentit si njerëz që përpiqen të zhbëjnë zgjedhjen e tij në vitin 2016.

Akuzat e ngritura nga Dhoma i Përfaqësuesve të martën i japin fund disa javëve hetime dhe seanca dëgjimore, të cilat Presidenti Trump i ka cilësuar të njëanshme. Ai thotë se seancat nuk i kanë dhënë atij asnjë mundësi për të paraqitur pikëpamjen e tij.

Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar kërkesat e përsëritura që zyrtarët e saj të lartë të dëshmojnë në Kongres apo që të dorëzojnë dokumente në komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve, ku demokratët kanë shumicën.

Dhoma e Përfaqësuesve është pothuajse e sigurtë se procesi i shkarkimit do të marrë miratimin e saj, që nuk mund të ndodhë përveçse në linja partiake. Më pas, në muajin janar Senati, i kontrolluar nga republikanët do të zhvillojë gjykimin. Asnjë republikan në asnjërën prej dhomave të Kongresit nuk është shprehur pro shkarkimit të Presidentit Trump.

Zoti Trump dhe aleatët e janë përpjekur ta përshkruajnë krejt procesin si në fakt një fitore për presidentin, duke argumentuar se orvatjet e demokratëve ka bërë që mbështetja e përkrahësve të të forcohet akoma më shumë.

“Shpallja e dy akuzave të pabaza për shkarkimin e presidentit Trump nuk e dëmton atë, por dëmton popullin amerikan, i cili pret që zyrtarët e zgjedhur prej tij të punojnë për të forcuar vendin,” tha zonja Grisham në deklaratë.

ASHPËRSOHET BETEJA POLITIKE

Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve pritet para Krishtlindjeve. Presidenti Trump reagoi në Twitter duke e quajtur procesin kundër tij një “çmenduri të pastër politike.”

Shpallja e akuzave shënon një hap të ri drejt votimit historik që pritet të ndërmarrë Dhoma e Përfaqësuesve ku demokratët kanë shumicën. Ata e akuzojnë presidentin se ka korruptuar procesin e zgjedhjeve dhe ka vënë në rrezik sigurinë kombëtare.

Kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi, e shoqëruar nga kryetarët e komisioneve që kanë organizuar hetimet kundër presidentit, e quajti hapin e sotëm “një akt solemn”.

Akuzat i shpalli kryetari i komisionit të ligjeve, demokrati Jerrod Nadler.

“Ai rrezikon demokracinë tonë, rrezikon sigurinë tonë kombëtare. Zgjedhjet tona të rradhës janë në rrezik. Kjo është arsyeja pse ne duhet të veprojmë tani”, tha zoti Nadler.

From left House Speaker Nancy Pelosi, Chairwoman of the House Financial Services Committee Maxine Waters, D-Calif., Chairman of the House Foreign Affairs Committee Eliot Engel, D-N.Y., House Judiciary Committee Chairman Jerrold Nadler, D-N.Y., Chairwoman

From left House Speaker Nancy Pelosi, Chairwoman of the House Financial Services Committee Maxine Waters, D-Calif., Chairman of the House Foreign Affairs Committee Eliot Engel, D-N.Y., House Judiciary Committee Chairman Jerrold Nadler, D-N.Y., Chairwoman

Akuzat e shpallura të martën burojnë nga presioni që demokratët thonë se presidenti Trump i bëri Ukrainës që ajo të ndërmerrte hetime kundër rivalit të tij politik, ndërkohë që pezulloi ndihmën ushtarake për Kievin.

Por, republikanët thonë se demokratët nuk kanë asnjë bazë.

“Nuk kemi krim, nuk kemi asgjë dhe askush nuk po kupton se çfarë po përpiqet të bëjë maxhoranca. Përveçse të ndërhyjë për t’u siguruar që Presidenti të mos fitojë vitin e ardhshëm pasi ndaj tij janë ngritur akuza”, thotë ligjvënësi republikan Doug Collins.

Presidenti Trump publikoi një koment në Twitter përpara njoftimit ku thoshte se të përpiqesh të shkarkosh një president me arritje si të tijat është “çmenduri e pastër politike.”

Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar vetëm tre herë në historinë e saj për shkarkimin e një presidenti amerikan.

Votimi në Komisionin e Ligjeve pritet brenda pak ditëve, ndërsa para Krishtlindjeve do të hidhet në votë në të gjithë Dhomën e Përfaqësuesve.

SHBA do të dërgojnë 20 000 trupa në Evropë

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë 20 000 trupa në Evropë në muajt prill dhe maj për manovra ushtrake. Këto do të jenë manovrat më të mëdha ushtarake në tokën evropiane që nga Lufta e Ftohtë dhe nënvizojnë angazhimin e Uashingtonit ndaj NATO-s. Njoftimi u bë të martën nga një komandant i lartë i NATO-s dhe vjen pak ditë pas një samiti të Aleancës në Londër.

Ushtria e Shteteve të Bashkuara synon të pengojë Rusinë nga një përsëritje e aneksimit të gradishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014. SHBA do të provojnë aftësinë për të transportuar trupat e tyre përtej Atlantikut, në Belgjikë dhe Hollandë dhe pastaj për t’i lëvizur me shpejtësi drejt Lindjes përmes Gjermanisë në Poloni dhe përgjatë krahut lindor të NATO-s. Pas manovrave, trupat do të kthehen në Shtetet e Bashkuara.

NATO-ja ka dërguar tashmë batalione në Balltik dhe Poloni për të parandaluar inkursione të mundshme ruse, por tani synon të jetë në gjendje të mbështesë çdo operacion ushtarak. Qeveritë evropiane janë gjithashtu duke shpenzuar më shumë për t’i mbajtur në gatishmëri forcat e tyre ushtarake.

Rusia thotë se nuk ka ndërmend të sulmojë NATO-n dhe akuzon aleancën për destabilizimin e Evropës. zëri i amerikës

Demokratët shpallin akuzat për shkarkimin e presidentit

Nga njoftimi i krerëve të komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve

Në SHBA, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve shpallën të martën dy akuza në procesin e ndërmarrë prej tyre për shkarkimin e Presidentit Donald Trump: shpërdorim të pushtetit dhe pengim të Kongresit. Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve pritet para Krishtlindjeve. Presidenti Trump reagoi në Twitter duke e quajtur procesin kundër tij një “çmenduri të pastër politike.”

Shpallja e akuzave shënon një hap të ri drejt votimit historik që pritet të ndërmarrë Dhoma e Përfaqësuesve ku demokratët kanë shumicën. Ata e akuzojnë presidentin se ka korruptuar procesin e zgjedhjeve dhe ka vënë në rrezik sigurinë kombëtare.

Kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi, e shoqëruar nga kryetarët e komisioneve që kanë organizuar hetimet kundër presidentit, e quajti hapin e sotëm “një akt solemn”.

Akuzat i shpalli kryetari i komisionit të ligjeve, demokrati Jerrod Nadler.

“Ai rrezikon demokracinë tonë, rrezikon sigurinë tonë kombëtare. Zgjedhjet tona të rradhës janë në rrezik. Kjo është arsyeja pse ne duhet të veprojmë tani”, tha zoti Nadler.

Akuzat e shpallura të martën burojnë nga presioni që demokratët thonë se presidenti Trump i bëri Ukrainës që ajo të ndërmerrte hetime kundër rivalit të tij politik, ndërkohë që pezulloi ndihmën ushtarake për Kievin.

Por, republikanët thonë se demokratët nuk kanë asnjë bazë.

“Nuk kemi krim, nuk kemi asgjë dhe askush nuk po kupton se çfarë po përpiqet të bëjë maxhoranca. Përveçse të ndërhyjë për t’u siguruar që Presidenti të mos fitojë vitin e ardhshëm pasi ndaj tij janë ngritur akuza”, thotë ligjvënësi republikan Doug Collins.

Presidenti Trump publikoi një koment në Twitter përpara njoftimit ku thoshte se të përpiqesh të shkarkosh një president me arritje si të tijat është “çmenduri e pastër politike.”

Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar vetëm tre herë në historinë e saj për shkarkimin e një presidenti amerikan.

Votimi në Komisionin e Ligjeve pritet brenda pak ditëve, ndërsa para Krishtlindjeve do të hidhet në votë në të gjithë Dhomën e Përfaqësuesve. zëri i amerikës

Demokratët përpilojnë akuzat ndaj Presidentit Trump

Komisioni i Ligjeve i Dhomës së Përfaqësuesve organizon një tjetër dëgjesë sot në kuadrin e hetimeve me qëllim shkarkimin e Presidentit Donald Trump. Hetimet janë zhvilluar rreth akuzave se presidenti abuzoi me pushtetin duke i bërë presion Ukrainës të njoftonte çeljen e hetimeve për rivalin e tij politik Joe Biden, kandidatin kryesor demokrat. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, tensionet partiake në Uashington pritet të intensifikohen më tej.

Ajo që filloi si një mision faktmbledhës u përshkallëzua me njoftimin e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve.

“Me hidhërim, por me besim dhe përulësi, me besnikëri ndaj etërve tanë, dhe me një zemër plot dashuri për Amerikën, sot do kërkoj fillimin e hartimit të akuzave për shkarkimin”, deklaroi Nancy Pelosi, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve.

Dëgjesat më të fundit janë zhvilluar në Komisionin e Ligjeve.

“Secili nga ne është betuar të mbrojë Kushtetutën dhe faktet përpara nesh janë të qarta. Presidenti Trump nuk kërkoi thjesht të përfitonte nga ndërhyrja e huaj në zgjedhjet tona, por ai e ftoi në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të hapur këtë ndërhyrje të huaj në zgjedhjet tona”, tha Jerry Nadler, Kryetar i Komisionit të Ligjeve të Dhomës së Përfaqësuesve.

Presidenti Trump i ka kritikuar ashpër këto procese dhe aleatët e tij republikanë thonë se hetimi është i motivuar politikisht.

“Kryetari citoi shumë nga themeluesit dhe se prandaj po e zhvillojmë këtë dëgjesë, pasi themeluesit ishin të shqetësuar për influencën e huaj. Por, ai nuk citoi se themeluesit ishin gjithashtu vërtet të shqetësuar për procesin politik të shkarkimit vetëm pse nuk na pëlqen personi”, tha Ligjvënësi republikan Doug Collins.

Shtëpia e Bardhë ka urdhëruar anëtarët e kabinetit qeveritar, me njohuri të drejtpërdrejtë të telefonatës gjatë së cilës Presidenti Trump i kërkonte favore Presidentit të Ukrainës, të injorojnë fletëthirrjet e Kongresit.

“Presidenti i ka ndalur me të padrejtë këta dëshmitarë. Ideja se ekziston imuniteti absolut është absurde. Kjo nuk bazohet askund në ligje apo në Kushtetutë. Është një kërcënim i vazhdueshëm për sigurinë kombëtare dhe është abuzim me pushtetin”, tha Ligjvënësja demokrate Zoe Lofgren.

Republikanët thonë se nëse detyrohen të dëshmojnë anëtarët e kabinetit qeveritar, kjo do të vendoste një precedent të rrezikshëm.

“Nëse në të ardhmen të gjithë do të ngurrojnë t’i japin mendim presidentit për sfidën e radhës, pasi fjalët e tyre do të merren dhe t’i lexohen Kongresit dhe publikut fjalë për fjalë, atëherë kjo mund të dëmtojë kreativitetin dhe mendimin novator që dëshirojmë të shohim tek dega ekzekutive”, tha Ligjvënësi republikan Matt Gaetz.

Dëgjesa e sotshme e Komisionit të Ligjeve të Dhomës së Përfaqësuesve do të rishqyrtojë evidencën kundër Presidentit Trump. Kryetari Nadler është shprehur se akuzat e përgatitura ndaj Presidentit Trump mund të bëhen gati për t’u votuar që nga fundi i kësaj jave.

Nadler: Ekziston një “çështje e fortë” kundër Presidentit Trump

Udhëheqësi i komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve që po shqyrton listën e akuzat kundër Presidentit Donald Trump argumentoi se ekziston një “çështje e fortë” kundër udhëheqësit amerikan.

Kongresmeni Jerrold Nadler deklaroi në CNN se Presidenti Trump do të shpallej fajtor në “tri minuta” nëse ai do të ndeshej me këto akuza para një jurie të gjykatës penale se abuzoi me postin e tij duke i kërkuar Ukrainën për të hetuar një nga kundërshtarët e tij kryesorë të demokratëve në zgjedhjet e vitit 2020, ish-nënpresidentin Joe Biden.

Zoti Nadler tha se nëse Presidenti Trump “kishte ndonjë provë shfajësuese”, do ta kishte bërë të ditur, sesa të refuzonte pjesëmarrjen, siç ka bërë Shtëpia e Bardhë, përpara se Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve kontrolluar nga demokratët të shqyrtonte akuzat për shkarkimin nga detyra të presidentit republikan.

Zoti Nadler tha se paneli juridik, pas një seance dëgjimore të hënën mbi provat e mbledhura tashmë nga Komisioni i Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve për ndërveprimet mes Presidentit Trump dhe ndihmësve të tij për Ukrainën, mund të votojë mbi listën e akuzave deri në fund të javës. Më pas, një votë e plotë e Dhomës së Përfaqësuesve mund të jetë në rrugën e duhur për të fajësuar Trump përpara se të fillojnë pushimet për festat e Krishtlindjeve në dy javë, duke hapur rrugën për një gjykim në Senatin me shumicë republikane në janar, megjithëse dënimi dhe shkarkimi i Presidentit Trump mbetet i pamundur.

Por zoti Nadler nuk pranoi të spekulojë se sa akuza do të sillen kundër Presidentit Trump dhe përmbajtjen e tyre. zëri i amerikës

SHBA: Sajmir Alimehmeti dënohet me 22 vjet heqje lirie për mbështetje të terrorizimit

Një gjykatë në New York, dënoi me 22 vjet heqje lirie një shqiptar me vendbanim në Bronx, që synonte të bëhej pjesë e grupit ekstremist Shteti Islamik.

Sipas akuzës, që nga viti 2015, Sajmir Alimehmeti, i cili veten e quante “Dentisti”, kishte blerë thika dhe pajisje të tipit ushtarak.

“Ju jeni një bombë e kurdisur”, tha të premten gjykatësi federal i Manhatanit, Paul Engelmayer, derisa po publikonte vendimin për dënimin e tij nën akuzat për ofrim të mbështetjes materiale për ISIS-it dhe për mashtrim me pasaportë.

Alimehmeti, shtetas i natyralizuar amerikan ishte arrestuar në vitin 2016. Një agjent i fshehtë ishte takuar me Alimehmetin në banesën e tij në Bronx, ku ai kishte luajtur video, ku shihej një prej luftëtarëve të ISIS-it duke u prerë kokën të burgosurve.

Alimehmeti i kishte thënë agjentit të fshehtë se “ai dhe vëllai i tij kishin patur në plan për të udhëtuar nga Shqipëria në Raka të Sirisë, por i vëllai ishte arrestuar.”

Ai kishte qenë në vëmendje të autoriteteve të paktën që nga viti 2014, kur atij i ishte mohuar dy herë hyrja në Britani, prej nga synonte të udhëtonte për në Siri. Në vitin 2015 ai kishte aplikuar për një pasaportë të re amerikane, duke pretenduar se e kishte humbur të parën. Sipas FBI-së, ai mendonte se përdorimi i pasaportës së vjetër me vulat britanike të refuzimit do të ngjallte dyshime.

Në vitin 2018 ai kishte pranuar fajësinë, duke theksuar se ka gënjyer gjatë aplikimit për pasaportë si dhe për ofrim të mbështetjes materiale për ISIS-in. zëri i amerikës

Ford me mbetjet e kokrrës së kafesë do të prodhojë pjesë të automjeteve

Gjiganti i automjeteve me bazë në SHBA, Ford Motor Company, do të përdorë mbeturinat e kafesë për prodhimin e pjesëve të automjeteve, bëri të ditur sot kompania, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ford dhe zinxhiri global i ushqimit të shpejtë Mc Donald’s do të fillojnë bashkëpunimin për përpunimin e kokrrës së kafesë, thuhet në një njoftim për media nga prodhuesi i automjeteve.

“Të dy kompanitë kanë zbuluar që mbeturinat e kokrrës së kafesë mund të shndërrohen në një material shumë të qëndrueshëm që mund të përdoret për pjesë të automjeteve”, thuhet më tej.

Këto përbërës përputhen me specifikimet e cilësisë që kërkohen nga paneli i montimit të dritave dhe pjesëve të tjera të trupit dhe pjesëve të jashtme të karrocerit.

Kur mbeturina e kafesë nxehet në temperatura të larta nën oksigjen të ulët dhe përzihet me plastikë dhe aditivë të tjerë, materiali që prodhohet mund të shndërrohet në forma të ndryshme.

“Për më tepër, pjesët e prodhuara nga kjo metodë janë 20 për qind më të lehta dhe kanë nevojë për 25 për qind më pak energji në procesin e formimit”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Trump: SHBA mund të ndërmarrin veprime tregtare ndaj vendeve të NATO-s që nuk kontribuojnë

Presidenti Donald Trump tha të enjten se Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin veprime tregtare ndaj vendeve që nuk kontribuojnë sa duhet për NATO-n.

Presidenti Trump, i sapokthyer nga udhëtimi në Londër për samitin e NATO-s, po u bën trysni vendeve anëtare që të kontribuojnë më shumë financiarisht për aleancën.

Ai tha se shumë vende po i afrohen objektivit të shpenzimeve prej dy përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto përsa i përket kontributit për NATO-n.

“Shumë vende janë afër dhe po afrohen. Disa nuk janë shumë afër, dhe ne mund të ndëmarrim gjëra që kanë të bëjnë me tregtinë. Nuk është e drejtë që ata të kenë mbrojtjen amerikane dhe të mos paguajnë,” tha ai.

Presidenti Trump dhe udhëheqësi francez Emmanuel Macron debatuan ashpër rreth të ardhmes së NATO-s në prag samitit që u mblodh për të shënuar 70 vjetorin e aleancës ushtarake perëndimore.

Në shkëmbimet e mprehta mes tyre, Presidenti Trump kërkoi që Evropa të paguajë më shumë për mbrojtjen e saj kolektive dhe të bëjë lëshime në favor të interesave tregtare amerikane.

Ndërkaq, ai foli me optimizëm për aleancën dhe tha se takimet e tij gjatë samitit shkuan mirë dhe se “NATO-ja është në formë shumë, shumë të mirë.” Edhe marrëdhëniet me vendet e tjera janë “vërtet të jashtëzakonshme,” tha Presidenti Trump në komentet që bëri të enjten. zëri i amerikës

Presidenti Trump dhe lufta ndaj karteleve meksikane të drogave

Ardita Dunellari

Presidenti amerikan Donald Trump duket se do të vërë në jetë planin e tij për të përcaktuar zyrtarisht kartelet e drogës meksikane si organizata terroriste. Njoftimi i tij e ka vënë në pozita mbrojtëse qeverinë meksikane. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Ardita Dunellari i hedh një vështrim ndikimit politik të një lëvizjeje të tillë dhe efektin e saj në marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Meksikë.

Makina të djegura, rrugë të lyera me gjak dhe civilë të tmerruar, kjo është pasoja e konfliktit të dhunshëm të së shtunës mes karteleve të drogës dhe autoriteteve meksikane. Kjo përballje la 22 të vdekur, përfshirë katër policë.

Krimi i organizuar ndërkufitar mbetet një sfidë serioze e sigurisë si për Meksikën ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara. Një sulm i pamëshirshëm i grupeve të drogës la nëntë shtetas amerikanë të vdekur në fillim të nëntorit në Meksikë, duke bërë që Presidenti Trump të deklaronte synimin e tij për t’i shpallur kartelet e drogës si Organizata të Huaja Terroriste. Presidenti e përsëriti premtimin e tij në një intervistë javën e kaluar.

Analistit Adam Isacson kjo i kujton retorikën e fushatës, kur Presidenti fliste për Amerikën Latine si një rajon që dërgon njerëz të këqij në Shtetet e Bashkuara.

“Ideja e futjes së grupeve kriminale në listën e organizatave terroriste dhe kthimi i vëmendjes tek kaosi që po ndodh në Meksikë, përshtatet shumë mirë me mesazhin e Presidentit.”

Kjo do t’i jepte autoritetin institucioneve amerikane për të ngrirë pasuritë financiare të këtyre grupeve kriminale, ndjekjen e tyre penale për aktivitetet që mbështesin terrorizmin dhe ndalimin e hyrjes në vend për individë dhe subjekte të lidhura me këto grupe.

Presidenti Trump tha se ai i kishte ofruar presidentit Meksikan ndihmë për “të hyrë brenda dhe për të pastruar (zonat nga grupet kriminale)”, duke krijuar shqietësim për një ndërhyrje të mundshme amerikane.

Presidenti Meksikan reagoi menjëherë, duke deklaruar se asnjë forcë e huaj nuk do të përfshihej në vendosjen e rendit dhe ligjit në Meksikë:

“Ne nuk pranojmë asnjë lloj ndërhyrje. Ne jemi një vend i lirë, sovran”, tha Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador.

Qeveria meksikane është pak e shqetësuar për sovranitetin, duke marrë parasysh se si ajo nga presioni liroi djalin e udhëheqësit famëkeq të karteleve të drogës, El Chapo, thotë Dan Cadman nga Qendra për Studime të Emigracionit. Sipas tij, fajin e ka paaftësia e autoriteteve meksikane për të trajtuar problemin e karteleve të drogës.

“Ata janë duke minuar aftësinë e qeverisë për të kontrolluar veten në të njëjtën mënyrë siç bënë Talibanët në Afganistan, ku ata kontrollojnë fushat me opium.”

Kritikët e kësaj politike, përfshirë analistin Isacson, janë kundër përdorimit të mjeteve të krijuara për të luftuar terrorizmin në luftën kundër karteleve të krimit. Sipas kritikëve, kjo nuk do të përmirësonte aftësitë e luftimit të krimit, por mund t’i dobësojë masat e antiterrorizmit. Zoti Isacson ngre shqetësime për efektin negativ që futja e këtyre grupeve në listën e organizatave terroriste do të kishte në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, dy vende që ndajnë shumë më tepër sesa një kufi dhe një interes të përbashkët për të luftuar krimin e organizuar.

Mbetet për t’u parë nëse Departamenti i Shtetit do të shpallë kartelet meksikane të drogës organizata terroriste, pasi ligji amerikan specifikon një numër kriteresh për futjen e grupeve dhe individët në listën e organizatave terroriste.

SHBA: Demokratët do të hartojnë akuzat për shkarkimin e presidentit

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi njoftoi të enjten se Dhoma e Përfaqësuesve do të hartojë listën me akuza për shkarkimin e Presidentit Donald Trump.

“Bëhet fjalë për fatin e demokracisë sonë. Presidenti nuk na la zgjidhje tjetër veçse të veprojmë,” tha zonja Pelosi.

Ajo e bëri njoftimin historik ndërsa demokratët po kërkojnë me ngulm që Dhoma e Përfaqësuesve, ku ata kanë shumicën, ta hedhë në votë propozimin, ndoshta para Krishtlindjeve.

Zonja Pelosi tha se e kishte autorizuar hartimin e akuzave për shkarkimin e presidentit “me një ndjenjë trishtimi por me besim dhe përulje.”

“Veprimet e presidentit kanë shkelur seriozisht Kushtetutën,” tha zonja Pelosi.

Në qendër të hetimeve është një telefonatë e Presidentit Trump me presidentin e Ukrainës në korrik të këtij viti, ku zoti Trump i bëri presion bashkëbiseduesit për të hetuar rivalin demokrat Joe Biden si kusht që Ukrainës t’i livrohej ndihma ushtarake. Presidenti Trump i ka mohuar akuzat. Shtëpia e Bardhë tha se demokratëve duhet t’u vijë turp.

Nëse Dhomae Përfaqësuesve e miraton listën e akuzave, në Senat, ku shumicën e kanë republikanët, zhvillohet një gjyq. Në këtë rast, anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve luajnë rolin e prokurorëve dhe senatorët rolin e jurisë. Kreu i Gjykatës së Lartë kryeson gjyqin. Presidenti lejohet të ketë në gjyq avokatë mbrojtës, të cilët thërrasin dëshmitarë dhe kërkojnë dokumente.

Presidenti Trump tha sot se nëse Dhoma e Përfaqësuesve vendos të miratojë akuzat për shkarkimin e tij, ajo duhet ta bëjë këtë tani dhe sa më shpejt, në mënyrë që çështja t’i kalojë senatit dhe vendi t’i kthehet punës.

Ai tha se një vendim i tillë i demokratëve nënkupton që presidentët e ardhshëm do të përballen në mënyrë rutinë me kërcënime për shkarkim nga ligjvënësit. zëri i amerikës

Raporti i komisionit të Zbulimit: Presidenti abuzoi me pushtetin

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve parashtruan të martën raportin e tyre lidhur me shkarkimin e Presidentit Donald Trump, duke e akuzuar atë për përdorimin e kompetencave që i jep posti i tij për të kërkuar ndërhyrje nga një qeveri e huaj për zgjedhjet e vitit 2020. Në raportin e komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, që udhëhoqi hetimet që nisën zyrtarisht në shtator, thuhej gjithashtu se presidenti republikan ka penguar hetimin.

Komisioni pritet të mblidhet më vonë gjatë ditës së sotme për të votuar mbi raportin. Më pas çështja do t’i kalojë komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve që do të nisë veprimtarinë mbi këtë çështje të mërkurën.

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve do të votonte pro akuzave për shkarkimin e presidentit, çështja do t’i kalonte për gjykim senatit ku për shkarkimin e tij do të nevojiteshin votat e dy të tretës së senatorëve të pranishëm.

Pjesë e diskutimit është çështja nëse presidenti Trump ka shpërdoruar detyrën duke i bërë presion Ukrainës që të hetojë ish-nënpresidentin amerikan Joe Biden, një nga pretendentët kryesorë për të qenë kandidati zyrtar i demokratëve për zgjedhjet e vitit 2020.

Zoti Trump ka mohuar të ketë shkelur ligjin dhe ka akuzuar demokratët se kanë përdorur hetimet për të përmbysur rezultatin e zgjedhje të 2016.

Sondazhet tregojnë se amerikanët janë të ndarë lidhur me qasjen e tyre ndaj procesit për shkarkimin e presidentit Trump.

Ligjvënësit dhe publiku kanë dëgjuar dëshmi nga zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë se ndihma ushtarake ndaj Ukrainës u pezullua dhe se një takim në Shtëpinë e Bardhë i Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy ishte kushtëzuar me nisjen e hetimeve nga Kievi rreth një teorie të pafaktuar se Ukraina ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të 2016-s. zëri i amerikës

Tërmeti, hetime për ndërtimet në Tiranë dhe Durrës

Në Shqipëri, prokuroritë e Tiranës dhe Durrësit njoftuan se kanë nisur prej disa ditësh hetimet lidhur me ndërtesat e dëmtuara si pasojë e tërmetit të fortë që goditi vendin, të martën e shkuar. Kryeqyteti dhe zona e Durrësit janë më të prekurat nga tërmeti. “Hetimi ka si objekt kryerjen e veprimeve të shpejta në drejtim të sqarimit të rrethanave konkrete, që kanë çuar në pasojat e ardhura dhe gjendjen e ndërtimeve. Veprat penale që po hetohen janë ato të “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ku do hetohet për organet qe kanë miratuar lejet e ndërtimit dhe nëse ato janë dhënë në mbështetje të ligjit, si dhe nëse ndërtuesit kanë respektuar lejen e marrë, “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a i Kodit penal, si dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”, neni 199/b i Kodit Penal”, shojegon Prokuroria e Tiranës e cila shpjegon se i është kërkuar “informacion Bashkisë së Tiranës për banesat e evidentuara tashmë si të prekura nga termeti dhe të klasifikuara jo në kushtet e duhura për banim. I njëjti informacion i është kërkuar dhe strukturave të tjera shtetërore”.

Prokuroria e Durrësit nga ana e saj, thotë se “dyshohet se pasojat kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave pergjegjës si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nepunësit shtetëror të ngarkuar me mbikqyerjen e këtyre ndërtimeve”. Kjo prokurori ka rregjistruar çështjen për veprat penale; “Ndërtim pa leje”, dhe “Shpërdorim detyre”.

Të dhëna ende paraprake flasin për të paktën afro 900 pallatet dhe mbi 5100 banesat e dëmtuara nga tërmeti. Në Tiranë rezultojnë për momentin 640 pallate dhe 4 mijë banesa të dëmtuara, nga të cilat 371 pallate dhe afro 2500 banesa të dëmtuara rëndë. Në Durrës, numri rezulton më i ulët, por vetëm për shkak se këtu procesi i verifikimit ka nisur me vonesë, ndërsa ditët e para vëmendja ishte përqëndruar te njerëzit e mbetur nën rrënoja. Në këtë qytet për momentin rezultojnë 185 pallate dhe afro 730 banesa të dëmtuara, nga të cilat 38 pallate dhe 620 banesa të prekura rëndë.

Po sot, gjatë ditës presidenti Ilir Meta mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare. “Diskutuam për një bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë. E mbështetëm prokurorinë të çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës. Të sigurojmë burimet e brendshme dhe mbështetjen e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të këtij tërmeti të tmerrshëm”, u shpreh presidenti Meta, përmes një postimi në Facebook, në përfundim të takimit. zëri i amerikës

Trumpi nuk do të marrë pjesë në seancat e procesit të shkarkimit

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe avokatët e tij nuk do të marrin pjesë në një seancë dëgjimore, këtë javë, në kuadër të procesit të shkarkimit të presidentit, i nisur në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët.

Në një letër dërguar Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, më 1 Dhjetor, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Pat Cipollone, akuzoi panelin për një “mungesë të plotë të një procesi të rregullt dhe të drejtësisë themelore” në hetim.

Komiteti, i ngarkuar me marrjen në konsideratë të akuzave të njohura si artikuj të shkarkimit, ka planifikuar të fillojë seancat dëgjimore publike më 4 dhjetor.

Hetimi për shkarkim i komiteteve të Dhomës së Përfaqësuesve, ka si pikë qëndrore një telefonatë të muajit korrik, midis presidentit Trump dhe atij të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Hetimi po zhvillohet nëse Trump abuzoi me pushtetin, duke bërë presion ndaj Ukrainës që të nisë një një hetim ndaj Joe Biden, një kandidat kryesor demokrat për t’u përballur me Trumpin në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, dhe djalin e tij Hunter Biden, i cili kishte punuar më parë për një kompani të energjisë të Ukrainës.

Trump mohon fajësinë dhe e quan hetimin një “gjueti shtrigash”. rel

Kandidatura e Michael Bloombergut

Fushës së mbushur me kandidatët që shpresojnë të marrin emërimin presidencial të partisë demokrate iu shtua një emër i ri së fundmi, ish kryetari i bashkisë së New York Michael Bloomberg. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Ardita Dunellari thotë se investitori dhe filantropi miliarder 77-vjeçar është një emër i njohur dhe ka në dispozicion miliona dollarë të pasurisë së tij për shpenzimet e fushatës, por sondazhet tregojnë se politikani i moderuar i cili dikur ka garuar si republikan, përballet me skepticizëm mes disa demokratëve.

Michael Bloomberg po bën fushatë për politika që ai thotë se do të ndihmojnë klasën e mesme dhe do të rivendosin drejtësi në ekonominë amerikane.

Miliarderi kandidon në një kohë kur shumë demokratë po kritikojnë pabarazinë e të ardhurave në Amerikë dhe mbajnë qëndrim ndaj ultra të pasurve. Bloombergu po mbështetet tek përvoja e tij për të fituar votues: pozicionin e tij të suksesshëm si mogul në media dhe teknologji dhe si kryetari i bashkisë që rigjallëroi qytetin e Nju Jorkut pas sulmeve të 11 shtatorit.

“Ajo që trashëgoi Michael Bloomberg ishte fjalë për fjalë një zonë katastrofash në Manhattanin e Poshtëm dhe ai ishte në gjendje ta rindërtonte qytetin në mënyrë të konsiderueshme dhe ta rindërtonte atë në mesin e një recesioni”, thotë John Hudak me institutin Brookings

Si kryetar bashkie, Bloomberg krijoi një politikë të veçantë për forcat e rendit të njohur si ndalo dhe kontrollo, e cila lejoi ndalimin në mënyrë disproporcionale të afrikano-amerikanëve për kontrolle të rastësishme të policisë. Kohët e fundit zoti Bloomberg kërkoi falje për politikën, duke thënë se ai nuk e kuptonte plotësisht se si ndikoi ajo tek pakicat, të cilat shihen si mbështetës të rëndësishëm të Partisë Demokrate.

Bloomberg, njeriu i nëntë më i pasur në botë, pritet të derdh miliona dollarë në reklama.

“Asnjëherë nuk ka patur një kandidat që ka njoftuar se do të garojë për president dhe brenda disa ditësh të shpenzojë 37 milionë dollarë dhe ky është vetëm fillimi”, thotë analisti Larry Sabato.

Sondazhet tregojnë se Bloombergu ka tani rreth 3 përqind mbështetje mes demokratëve. Por pa asnjë favorit të qartë në zgjedhjet paraprake, disa analistë thonë se paratë e tij i japin Bloombergut ndikim dhe perceptimin e pavarësisë në arenën politike.

“Është më mirë për një kandidat të shpenzojë paratë e veta, sesa të mbledhë qindra miliona dollarë nga njerëz që duan diçka në këmbim, qoftë ky posti i një ambasadori apo një dispozitë në ligj për të përfituar për biznesin e tyre”, thotë analisti Larry Sabato.

Në të njëjtën kohë, ato para mund të jenë një përgjegjësi politike në një parti që premton të ngushtojë hendekun në rritje mes të pasurve dhe të varfërve.

“Unë e kuptoj që njerëzit e pasur do të kenë më shumë këpucë se sa ne, do të kenë më shumë makina se sa ne, do të kenë më shumë shtëpi, por nuk mund të marrin një pjesë më të madhe të demokracisë”, tha kandidatja Elizabeth Warren.

Bloomberg argumenton se ai është kandidati më i mirë për të mposhtur Presidentin Trump, me centrizmin e tij politik dhe pasurinë e madhe. A do të bien dakord votuesit?

Popullariteti nuk blihet lehtë thotë analisti Hudak.

“Presidenti Trump u lidh me votuesit në një mënyrë shumë personale. Nuk është e qartë në se Michael Bloombergu ka të njëjtën karizëm politike”.

Tani për tani, Bloombergu po i anashkalon zgjedhjet paraprake në katër shtete në shkurt. Prova e tij e parë e madhe vjen në 3 Mars, kur 14 shtete do të zhvillojnë zgjedhjet paraprake në atë që njihet si “Super E Marta”.

DASH: Sot, ashtu si në kohë të tjera të vështira, SHBA në krah të Shqipërisë

Departamenti amerikan i Shtetit, shprehu ngushëllimet e Shteteve të Bashkuara për viktimat e tërmetit në Shqipëri.

“Sot ne lutemi për familjet e tyre, si edhe për ata që janë lënduar. Në emër të popullit amerikan, u urojmë të gjithë atyre që janë prekur shërim të shpejtë. Sot, ashtu si në kohë të tjera të vështira, Shtetet e Bashkuara janë në krah të miqve tanë në Shqipëri”, thuhet në një deklaratë të Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo, me rastin e 107 vjetorit të pavarësisë.

Departamenti i Shtetit shpreh gjithashtu mbështetjen e fortë për integrimin e evropian dhe përgëzon vendosmërinë e Shqipërisë për këtë objektiv,

“Ne vlerësojmë përpjekjet e qeverisë shqiptare për të zbatuar reformat e nevojshme, përfshirë ato që kanë si synim konsolidimin e një sistemi gjyqësor të pavarur”, thuhet më tej në deklaratë.

Departamenti i Shtetit vlerëson gjithashtu kontributin e Shqipërisë në koalicionin e NATO-s dhe mirëpret udhëheqjen e Shqipërisë në kryesinë e radhës së OSBE-së për vitin 2020.

“Miqësia SHBA-Shqipëri qëndron si një shtyllë e qendrueshme paqeje dhe stabiliteti dhe ne shpresojmë për shumë vite të tjera miqësie dhe bashkëpunimi”, përfundon deklarata.

Republikani Nunes nuk i përgjigjet pyetjes nëse është takuar me ish-kryeprokurorin e Ukrainës

Republikani Nunes nuk i përgjigjet pyetjes nëse është takuar me ish-kryeprokurorin e Ukrainës

Devin Nunes, republikani kryesor i komisionit të Zbulimit (Dhoma e Përfaqësuesve) që po heton Presidentin Donald Trump, nuk pranoi t’i përgjigjej të dielën pyetjeve nëse ishte takuar me një ish-zyrtar ukrainas për të mbledhur informacione rreth djalit të ish-Nënpresidentit Joe Biden.

Avokati që përfaqëson zotin Lev Parnas, një bashkëpunëtor i avokatit personal të zotit Trump, Rudy Giuliani, ndaj të cilit rëndon një aktpadi, tha për disa media të premten se zoti Nunes ishte takuar me ish-Kryeprokurorin e Ukrainës Victor Shokin në Vjenë në vitin 2018.

Pretendimi është i diskutueshëm sepse zoti Nunes nuk ka folur për ndonjë takim të kësaj natyre gjatë mbrojtjes që i ka bërë në emër të republikanëve Presidentit Donald Trump gjatë seancave dëgjimore në kuadër të hetimeve për shkarkimin e tij.

Duke folur të dielën për rrjetin televiziv “Fox News” zoti Nunes u pyet drejtpërndrejtë nëse ai ishte takuar me Victor Shokin. Ligjvënësi u përgjigj se ai kishte në plan t’u përgjigjej pyetjeve, por nuk mund ta bënte këtë gjë “tani”.

Zoti Nunes e ka kritikuar në mënyrë të përsëritur procesin hetimor që mund të çojë në shkarkimin e presidentit. Ligjvënësit po hetojnë nëse zoti Trump i ka bërë presion të Ukrainës për të hapur hetime që mund të dëmtonin potencialisht zotin Biden, një pretendent kryesor për të qenë kandidati zyrtar i Partisë Demokrate për zgjedhjet e 2020-s përballë Donald Trump-it.

Demokratët kanë thënë se nëse pretendimi i zotit Parnas vërtetohet, zoti Nunes mund të përballet me një hetim për shkelje të etikës. Zoti Parnas ndaj të cilit janë ngritur akuza në lidhje me kontribute të dyshimta politike, kërkon imunitet për të dëshmuar përpara komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve. Kongresi nuk pritet të mblidhet deri më datë 3 dhjetor. Por gjatë një interviste të dielën për rrjetin televiziv “CNN” kryetari i komisionit Adam Schiff tha se egzistojnë mundësitë për më shumë dëshmi në kuadër të hetimeve për shkarkimin e presidentit.

Afati kohor për një votim për ngritjen zyrtarisht të akuzave nga Dhoma e Përfaqësuesve është ende i paqartë. Komisioni që drejton zoti Schiff ka ende punë me hartimin e një raporti bazuar në hetimet e deritanishme i cili i dorëzohet më pas komisionit Jurik po të kësaj dhome. Ky i fundit përgatit akuzat që do t’i shkojnë për votim Dhomës së Përfaqësuesve.

Demokratët, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, mund t’i zyrtarizojnë akuzat me shumicë të thjeshtë votash. Çështja i kalon Senatit që pas zhvillimit të një procesi gjyqësor duhet të marrë një vendim me dy të tretat e votave për të shkarkuar nga detyra presidentin Trump. Deri tani asnjë prej republikanëve, në të dyja dhomat e Kongresit, nuk kanë dhënë ndonjë sinjal se është pro ngritjes zyrtarisht të akuzave ndaj presidentit.

Në një postim në Twitter të dielën zoti Trump kritikoi seancat dëgjimore dhe tha se sondazhet “tashmë janë kthyer shumë fuqishëm kundër procesit për shkarkimin e tij, veçanërisht në shtetet e lëkundura”, ato shtete ku si demokratët dhe republikanët i kanë shanset e barabarta për të fituar. Zoti Trump nuk sqaroi se për çfarë sondazhesh bëhej fjalë. Sipas të dhënave sondazhet tregojnë se opinioni publik është i ndarë në mënyrë të barabartë nëse duhet apo jo që ndaj presidentit të zyrtarizohen akuzat për shkarkim.

Gjatë dy javëve të fundit në Kongres u paraqitën dymbëdhjetë dëshmitarë. Ata sollën detaje të reja lidhur me dyshimet se zoti Trump i bëri presion Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy që të hetojë kundërshtarin e tij politik Joe Biden dhe djalin e tij, Hunter Biden.

Dëshmitarët i thanë ligjvënësve se zoti Giuliani kishte luajtuar një rol kryesor në presionin ushtruar ndaj zyrtarëve ukrainas për të nisur hetimin.

Të gjithë e kuptuam se nëse nuk do të pranonim të punonim me zotin Giuliani, do të humbisnim një mundësi të madhe për të forcuar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës. Ndaj ne zbatuam urdhrat e presidentit“, tha në dëshminë e tij të mërkurën Gordon Sondland, ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian. zëri i amerikës

Michael Bloomberg hyn në garën për President të Shteteve të Bashkuara

Michael Bloomberg njoftoi sot se po kandidon për President të Shteteve të Bashkuara.

Ish kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, një nga njerëzit më të pasur në botë, u bashkua zyrtarisht në fushatën presidenciale demokrate të dielën. Ish republikani 77-vjeçar i njoftoi planet e tij në një faqe elektronike të fushatës.

Ai shkroi: ” Po kandidoj për president për të mposhtur Donald Trumpin dhe për të rindërtuar Amerikën. ”

Hyrja e Bloomberg-ut në garë, vetëm 10 javë para fillimit të zgjedhjeve paraprake, reflekton shqetësimin e tij se lista aktuale e kandidatëve nuk është e pozicionuar mirë për të mposhtur presidentin Trump.

Investimet masive të Bloombergut në çështjet me përparësi për demokratët si ndryshimet klimatike dhe kontrolli i armëve të mbështetura nga pasuria e tij personale, mund ta bëjnë atë një kandidat të fuqishëm. Ai tashmë ka rezervuar më shumë se 30 milion dollarë në reklama televizive nëpër disa shtete, megjithëse nuk do të marrë pjesë në katër zgjedhjet e para paraprake. zëri i amerikës

Amazon padit Departamentin amerikan të Mbrojtjes

Kompania Amazon ka ngritur një padi kundër Departamentit amerikan të Mbrojtjes.

Ankesa, e paraqitur të premten në një gjykatë federale amerikane, kundërshton vendimin e Departamentit të Mbrojtjes për dhënien e një kontrate informatike prej 10 miliardë dollarësh Mikrosoftit.

Amazon kishte pritur të merrte kontratën për modernizimin dixhital të Pentagonit.

Në gusht, megjithatë, Presidenti Donald Trump publikisht hodhi dyshime nëse Amazonit duhet t’i jepej kontrata.

Jeff Bezos është Drejtori i Përgjithshëm i Amazon. Ai është gjithashtu pronari i gazetës The Washington Post, kritike ndaj Trumpit dhe administratës së tij.

Presidenti Trump e ka quajtur gazetën pjesë të “mediave të rreme të lajmeve”.

Javën e kaluar, Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper tha se kontrata ishte dhënë në mënyrë të drejtë dhe me paanëshmëri. zëri i amerikës

DASH: Po ndjekim situatën pas komenteve të Presidentit Meta

Departamenti i Shtetit thotë se “është në dijeni” të komenteve të Presidentit Ilir Meta ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe diplomatëve amerikanë dhe se “është duke e vëzhguar situatën”.

Pas sugjerimit të djeshëm të ambasadës amerikane në Tiranë që Shqipëria t’i drejtohej për opinion Komisionit të Venecias lidhur me përplasjen për çështjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Meta u shpreh me një gjuhë të ashpër duke thënë “Jo më shtet të ambasadave, por shtet të së drejtës”.

Duke iu përgjigjur interesimit të Zërit të Amerikës për komentet e djeshme të Presidentit Meta, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se “respektimi i ligjit është mbi të gjitha”.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkura nuk ka ndryshuar”, thotë zëdhënësi, duke shtuar se “vazhdimi i përparimit me reformat është jetik për stabilitetin dhe begatinë e Shqipërisë, si dhe për çuarjen përpara të synimit tonë të përbashkët, atë të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. Shtetet e Bashkuara, shton më tej zëdhënësi, “do të vazhdojnë të mbështetin Shqipërinë si një vend mik, partner dhe aleat, teksa vendi kryen reforma jetike”.

Komisioni i Jashtëm i Senatit miraton emërimin e Yuri Kimit për postin e ambasadores në Shqipëri

Komisioni i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë miratoi të mërkurën emërimin e diplomates Yuri Kim për postin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Për t’u bërë zyrtar, emërimi i saj duhet të miratohet nga Senati.

Komisioni votoi për 15 emërime, përfshirë për të emëruarin për postin e Ambasadorit amerikan në Rusi, John Sullivan.

Zonja Kim, ishte emëruar nga Presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti

Në një seancë para Komisionit të Jashtëm të Senatit për konfirmimin e saj në fund të tetorit, ajo tha se do të nxiste udhëheqësit e vendit për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Zonja Kim shtoi se do të inkurajonte gjithashtu Shqipërinë të zbatonte plotësisht reformat në drejtësi, përfshirë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ajo tha se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional.

Zonja Kim tha gjithashtu se do të inkurajonte Shqipërinë për të arritur nivelin 2 përqind në shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2024.

Zonja Kim tha se nëse konfirmohet, do të punonte gjithashtu për të nxitur eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri.

Nëse konfirmohet, Yuri Kim do të ishte gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori, do të ishte gjithashtu personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë.

KARRIERA DIPLOMATIKE

Yuri Kim është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore.

Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.

Ajo ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtëpalëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Zonja Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe në Ankara.

Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor. zëri i merikës

Dëshmia e Ambasadorit Sondland: Giuliani i vendosi parakushte Ukrainës

Në Dhomën e Përfaqësuesve u zhvillua dëshmia publike e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland. Ai është deri më sot dëshmitari i profilit më të lartë që shfaqet në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa zhvillohen dëgjesat publike në kuadër të hetimeve që mund të çojnë në proces për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Donald Trump. Gjatë deklaratës së tij, ai u shpreh se nuk kishte qenë dakord që në marrëdhëniet me Ukrainën ishte përfshirë Rudy Giuliani, avokati personal i Presidentit Trump. Pohimi më i rëndësishëm që zoti Sondland bëri sot është se vërtet Rudy Giuliani i vuri si parakushte Ukrainës hetimin e zgjedhjeve të 2016-tës, të serverit të Partisë Demokrate dhe të kompanisë energjitike “Burisma”.

Dëshmia e Ambasadorit amerikan në BE, Gordon Sondland, u prit me vëmendje maksimale nga ligjvënësit dhe mediat amerikane. Zyrtari i profilit të lartë, një manjat i biznesit të hotelerisë, i pat dhuruar 1 milion dollarë komitetit organizator për inaugurimin e Presidentit Trump në vitin 2017. Në mars 2018, Presidenti Trump e emëroi atë ambasador në Bashkimin Evropian. Tashmë, ai e gjen veten në epiqendër të zhvillimeve politike për shkak të angazhimit të tij, nga Brukseli, me çështjet e Ukrainës.

“Këtë mëngjes do të dëgjojmë dëshminë e Gordon Sondland, ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian. Jemi në vazhdën e një procesi hetimor të Dhomës së Përfaqësuesve, pasi Presidenti Donald Trump u përpoq të kushtëzonte asistencën ushtarake ndaj Ukrainës dhe një takim në Zyrën Ovale me Presidentin e ri të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, me hapjen e hetimeve të motivuara politikisht që Trump besonte se do të ndihmonin fushatën e rizgjedhjes së tij”, tha Adam Schiff, kryetar i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Zoti Sondland pohoi se në mungesë të materialeve që mund t’i kishte ofruar Departamenti i Shtetit, kujtesa e tij mund të mos ketë qenë aq e saktë gjatë deponimit. Sidoqoftë, ai konfirmoi për ligjvënësit se përfshirja e zotit Giuliani ishte urdhëruar nga Presidenti Trump.

“Sekretari Perry, ambasadori Volker dhe unë punuam me zotin Rudy Giuliani për çështjet e Ukrainës, bazuar në udhëzimin e drejtpërdrejtë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Ne nuk kishim dëshirë të punonim me zotin Giuliani. E thënë më thjesht, na duhej të luanim me kartat që na u dhanë”, deklaroi Gordon Sondland, ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian.

Zoti Sondland tha se u kuptua nga të gjithë se nëse do të kishin refuzuar bashkëpunimin me zotin Giuliani, atëherë do të kishin humbur një mundësi shumë të rëndësishme për të forcuar marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Ukrainën.

“Megjithëse nuk ishim dakort me nevojën e përfshirjes së zotit Giuliani, në atë kohë nuk mendonim se përfshirja e tij ishte e papërshtatshme… Nëse do të kisha ditur për gjithë aferat e zotit Giuliani, apo partnerët e tij, një pjesë e të cilëve janë tashmë duke u hetuar penalisht, unë personalisht nuk do të kisha rënë dakord për pjesëmarrjen e tij. Nga sa dinim në atë kohë, ajo çfarë na kërkohej të bënim, nuk dukej se ishte e gabuar”, shtoi zoti Sondland.

Zoti Sondland tha se Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe udhëheqja e lartë e Departamentit të Shtetit ishin të mirinformuar për kontaktet me Ukrainën deri kur u lëvrua asistenca për Ukrainën në muajin shtator, si dhe hodhi poshtë sugjerimet se mund të jetë vepruar në mënyra të parregullta jodiplomatike. Megjithatë, ai konfirmoi se Rudy Giuliani i vendosi kushte Ukrainës.

“Kërkesat e zotit Giuliani ishin një quid pro quo (shkëmbim favoresh/parakusht) për të siguruar një takim në Shtëpinë e Bardhë për zotin Zelenskiy. Zoti Giuliani kërkoi që Ukraina të bënte një deklaratë publike ku të njoftonte hetime për zgjedhjet e 2016-tës, për serverin e Partisë Demokrate, dhe për kompaninë ‘Burisma’”, deklaroi zoti Sondland.

Ndërsa vazhduan pyetje-përgjigjet me ligjvënësit, pas paradites së dedikuar dëshmisë së zotit Sondland, pasdite pritet të dëshmojnë edhe Zv/Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes Laura Cooper dhe NënSekretari i Shtetit David Hale.

Laura Cooper

Laura Cooper është zyrtare e karrierës në Pentagon dhe mbulon sektorin e politikave për Rusinë, Ukrainën dhe vendet e tjera të atij rajoni. Ajo filloi punë në Departamentin e Mbrojtjes në vitin 2001. Ajo pati disa funksione përpara se të emërohej Zv. Sekretare e Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë. Ajo u takua në këtë kapacitet me zotin Volker në fund të muajit gusht për të diskutuar rreth asistencës së ngrirë për Ukrainën. Ajo u informua nga zoti Volker se asistenca mund të jepej nëse Ukraina do të publikonte një deklaratë ku do të dënonte ndërhyrjen në zgjedhje dhe ku të zotohej se do të hetonte çdo person të përfshirë në këtë ndërhyrje. Zonja Cooper u tha hetuesve në Kongres se ajo dhe të tjerë zyrtarë patën shprehur shqetësimin për ligjshmërinë e pezullimit të fondeve të autorizuara nga Kongresi për Ukrainën.

David Hale

Si Nënsekretar Shteti për Çështjet Politike, David Hale, është zyrtari i tretë më i lartë i Departamentit të Shtetit, një pozicion që Presidenti Trump ia dha në vitin 2018. I diplomuar në Shkollën e Shërbimit të Jashtëm të Universitetit Georgetown, zoti Hale u bë anëtar i Shërbimit të Jashtëm në vitin 1984 dhe tashmë mban gradën diplomatike ambasador. Në fillim të muajit mars, ai udhëtoi drejt Ukrainës, ku i kërkoi ambasadores të atëhershme amerikane Marie Yovanovich, të zgjaste mandatin e saj me një vit dhe të qëndronte në atë vend gjatë gjithë 2020-tës. Më vonë, Rudy Giuliani, si personi kryesor për Ukrainën i caktuar nga Presidenti Trump, filloi një fushatë njollosjeje për të larguar ambasadoren Yovanovich, si dhe udhëzoi Ndihmës Sekretarin e Shtetit George Kent që “të ulte kokën”. Zoti Hale dëshmoi më herët këtë muaj, me dyer të mbyllura, për menaxhimin nga Departamenti i Shtetit të tërheqjes nga Ukraina të ambasadores.

Vetëm një ditë më parë në Dhomën e Përfaqësuesve u dëgjuan dëshmitë e katër zyrtarëve të lartë, tre prej të cilëve kishin dëgjuar telefonatën e 25 korrikut mes Presidentit Trump dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, gjatë së cilës i kërkoi hetimin e kandidatit demokrat për president Joe Biden.

Kolonel Lietnant Alexander Vindman, eksperti kryesor për Ukrainën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, tha të martën se telefonata e Presidentit Trump ishte “e papërshtatshme” dhe “e pavend”. Ai tha se “sinqerisht nuk më besohej çfarë po dëgjoja. Ndoshta ishte edhe një element shokimi, në njëfarë mënyre, që frika ime më e madhe për drejtimin që mund të merrte politika jonë Ukrainën, realisht po ndodhte“. Zoti Vindman tha se kërkesa për të hetuar zotin Biden “nuk kishte asnjë lidhje me interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara” dhe se nuk kishte qenë pjesë e tezave të bisedimit që ishin përgatitur për Presidentin Trump.

Jennifer Williams, këshilltare për politikën e jashtme e Nënpresidentit Mike Pence, dëshmoi të martën se edhe ajo e dëgjoi telefonatën dhe se kërkesa e Presidentit Trump për hetimin e zotit Biden ishte “e pazakontë”, pasi bëhej fjalë “për një çështje të politikës së brendshme” dhe jo të politikës së jashtme. Zonja Williams tha se në karrierën e saj 14-vjeçare si anëtare e shërbimit të jashtëm kishte dëgjuar shumë telefonata presidentësh, por asgjë të ngjashme me atë çfarë kërkonte Presidenti Trump.

Ambasadori Kurt Volker, ish-i dërguari i posaçëm amerikan në Ukrainë, pati thënë fillimisht në seancat me dyer të mbyllura se nuk shikonte një lidhje mes presionit nga Presidenti Trump ndaj Ukrainës për të hetuar zotin Biden dhe pezullimit nga Presidenti Trump i gati 400 milionë dollarëve në asistencë për Ukrainën. Por, gjatë dëshmisë publike të martën, zoti Volker tha se pasi dëgjoi dëshmitarët e tjerë dhe pasi lexoi transkriptin e telefonatës së 25 korrikut, ai tashmë beson se pati një lidhje. Ai tha se po t’i kishte parë gjërat ndryshe më herët, do të kishte paraqitur kundërshtimin e tij. Zoti Volker tha gjithashtu se nuk pati kuptuar se kur Shtëpia e Bardhë pati kërkuar hetimin e kompanisë ukrainase të gazit “Burisma”, ajo çfarë nënkuptohej ishte hetimi i Hunter Biden-it, i cili ishte anëtar bordi i kompanisë.

Tim Morrison, ish-drejtor për çështjet evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, dëshmoi të martën se nuk pati dëgjuar asgjë që mund ta quante të paligjshme gjatë telefonatës së Presidentit Trump. Megjithatë, ai tha se hetimi i zotit Biden nuk duhet të jetë “një objektiv politikash”. Ligjvënësit demokratë kërkojnë të dinë se përse transkripti i plotë i telefonatës së 25 korrikut u vendos në një vendndodhje tepër të klasifikuar të Shtëpisë së Bardhë, ku zakonisht gjenden vetëm dokumentat më sensitivë. Zoti Morrison tha se ishte “një gabim administrativ”.

Procesi hetimor, nëntë zyrtarë të lartë dëshmojnë sot në Kongres

Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve pritet të dëgjojë sot dëshmitë hetimore të disa zyrtarëve të lartë të sigurisë kombëtare, të cilët ishin dëshmitarë të telefonatës së korrikut mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit ukrainas Volodymyr Zelenskiy.

Jennifer Williams, ndihmëse e Nënpresidentit Mike Pence, dhe Kolonel Lietnant Alexander Vindman, eksperti kryesor për Ukrainën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pritet të bisedojnë me Ligjvënësin gjatë sesionit të mëngjesit.

Kolonel Lietnant Alexander Vindman

Të dy zyrtarët kanë shprehur shqetësimin për telefonatën që gjendet në epiqendër të hetimeve për përpjekjet e mundshme të Presidentit Trump për t’i bërë presion zyrtarëve ukrainas që të hetonin rivalët e tij politikë.

Pasdite, komisioni do të dëgjojë dëshminë e Kurt Volker, ish-i dërguar i posaçëm në Ukrainë, si dhe Tim Morrison, ish-drejtor për Europën dhe Çështjet e Rusisë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, i dorëhequr muajin e kaluar.

Kurt Volker, ish-i dërguari i posaçëm në Ukrainë

Presidenti Trump u shpreh të hënën se do të “merrte realisht në konsideratë” të dëshmonte me shkrim në Komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Presidenti Trump fillon herët kontrollin fizik vjetor

Presidenti Donald Trump bëri një vizitë të papritur në një spital ushtarak pasditen e së shtunës për atë që Shtëpia e Bardhë thotë se është një fillim i hershëm i kontrollit të tij të përvitshëm shëndetësor.

“Duke parashikuar një 2020 shumë të ngarkuar, presidenti po përfiton nga një fundjavë e lirë këtu në Uashington, D.C., për të filluar pjesët e rutinës së tij të ekzaminimit vjetor fizik në qendrën Walter Reed,” thanë një deklaratë sekretarja e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham .

Presidenti kaloi rreth dy orë e 15 minuta në kompleksin mjekësor në Bethesda, Merilend. Një fotograf e pa Presidentin të dilte nga qendra mjekësore me një jakë të hapur dhe pa kravatë.

Sekretarja Grisham, menjëherë pas largimit të Trumpit, tha se presidenti iu nënshtrua një “ekzaminimi të shpejtë dhe analiza” dhe ai “mbetet i shëndetshëm dhe energjik pa ankesa, siç dëshmohet edhe nga prezantimet e tij të fuqishme në mitingjet para mijëra amerikanëve disa herë në javë”.

Sekretarja e shtypit nuk dha hollësi të tjera se çfarë lloji analizash iu nënshtrua Presidenti Trump.

Në një mesazh të mesnatës në Twitter (herët në mëngjes të së dielës), Presidenti Trump tha se ai kishte filluar “fazën e parë të kontrollit të përvitshëm fizik. Gjithçka shumë mirë (shkëlqyeshëm). Do ta përfundojë atë vitin e ardhshëm ”

Sekretarja Grisham tha gjithashtu se Presidenti, ndërsa ishte në qendrën mjekësore, përshëndeti gjithashtu stafin mjekësor “për t’i falenderuar të gjithë për kujdesin e jashtëzakonshëm që ata ofrojnë për luftëtarët tanë të plagosur dhe u uroj atyre një Ditë të mbarë Falenderimesh”.

Para se të largohej nga qendra Walter Reed, Presidenti Trump u takua gjithashtu me familjen e një ushtari të forcave speciale të plagosur në Afganistan.

Trump, 73 vjeç, u vlerësua në gjendje të mirë nga mjeku i tij zyrtar, Komandanti i Marinës, Sean Conley, pas një ekzaminimi në fillim të shkurtit në Qendrën Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed në Bethesda, Merilend.

Presidenti, i cili pëlqen gatimet fastfood dhe mishin e kuq, nuk pi alkool apo duhan. Ai nuk dihet të ketë patur ndonjë problem shëndetësor që kur u bë president në janar 2017, por ka një histori të kolesterolit të lartë dhe merr një dozë të ulët ditore të aspirinës për shëndetin kardiak. zëri i amerikës

Presidenti Trump fal dy ushtarakë amerikanë të akuzuar për krime lufte

Kundër këshillave të zyrtarëve të mbrojtjes Presidenti Trump fali të premten dy ushtarakë amerikanë të akuzuar për krime lufte në Afganistan, përfshirë një që ishte dënuar dhe një që ishte në pritje të gjykimit. Presidenti Trump i riktheu gjithashtu gradën një anëtari të ekipit SEAL i cili ishte ndëshkuar pasi pozoi me një viktimë në Irak.

Presidenti fali lejtnantin Clint Lorance dhe majorin Mathew Golsteyn. Lorance i urdhëroi ushtarët e tij të hapnin zjarr ndaj tre burrave të paarmatosur dhe u shpall fajtor për vrasje të shkallës së dytë dhe pengim të drejtësisë; Majori Golsteyn ishte në pritje të gjyqit për vrasjen e dyshuar të një afgani të dyshuar për një sulm me auto-bombë në 2010. Gjyqi i Golsteynit ishte caktuar të fillonte vitin e ardhshëm.

Trump gjithashtu i riktheu gradën e Shefit të Operatorit Special të Luftës, Edward Gallagerit, i cili ishte ndëshkuar pasi kishte pozuar me një kufomë luftarake të armikut, por ishte liruar nga akuzat për vrasje me paramendim dhe përpjekje për vrasje.

Sipas një raporti të CNN-it, zyrtarët e mbrojtjes e kishin paralajmëruar presidentin Trump se faljet mund të dëmtonin integritetin e sistemit gjyqësor ushtarak.

Shtëpia e Bardhë e mbrojti veprimin e Presidentit.

“Për më shumë se dyqind vjet, presidentët kanë përdorur autoritetin e tyre për t’u ofruar një shans të dytë individëve që e meritojnë, përfshi njerëzit me uniformë që i kanë shërbyer vendit tonë,” tha sekretarja i Shtypit të Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham në një deklaratë të premten vonë. “Këto veprime janë në përputhje me këtë histori të gjatë.”

Roger Stone fajtor në gjykatën federale në Uashington

Marrë nga Associated Press

Roger Stone, një mik dhe aleat i hershëm i Presidentit Donald Trump, u shpall sot fajtor nga gjykata federale në Uashington.

Vendimi për zotin Stone u dha në çështjen gjyqësore gjatë së cilës i ishin paraqitur shtatë akuza. Ai akuzohej se i gënjeu ligjvënësit amerikanë për çështjen e WikiLeaks, se përpunoi dëshmitarët dhe se pengoi një proces hetimor të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjatë gjyqit të tij doli në pah se si bashkëpunëtorët e fushatës elektorale Trump dëshironin të merrnin informacion për email-et e vjedhura që dëmtonin kandidaten Hillary Clinton, të publikuara nga faqja në internet WikiLeaks.

Prokurorët thanë se zoti Stone gënjeu përpara Kongresit për shkëmbimet e tij me WikiLeaks me drejtuesin e një emisioni radioeje në Nju Jork, Randy Credico, si dhe me shkrimtarin konservator dhe teoricienin konspirativ, Jerome Corsi.

Ai u akuzua gjithashtu se u përpoq ta frikësonte zotin Credico dhe se madje e kishte kërcënuar se do t’i merrte qenin.

Zoti Stone i pati mohuar akuzat dhe e pati denoncuar çështjen si të motivuar politikisht. zëri i amerikës

Yovanovich: DASH nuk më mbrojti nga sulmet e presidentit

Ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë Marie Yovanovich i tha Kongresit se sulmet që e kanë origjinën te interesat korruptive kanë krijuar një krizë në Departamentin e Shtetit.

Yovanovich u tha ligjvënësve se ajo ishte viktimë e ”fushatës së dezinformimit” ku u përdorën “kanale të pasme jozyrtare” që çuan në largimin e saj nga Ukraina. Ajo tha se “vazhdon të jetë e habitur” për faktin që pati amerikanë, të cilët bënë partneritet me “disa ukrainas të cilët preferuan të luanin sipas rregullave të vjetra korruptive” në përpjekjet për largimin e saj.

Yovanovich dha gjithashtu alarmin se zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit nuk e mbrojtën nga sulmet e aleatëve të presidentit, përfshirë ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut Rudy Giuliani.

“U ndjeva shumë keq kur dëgjova se Presidenti kishte humbur besimin tek unë,” tha ajo. Ajo foli para ligjvënësve për një “krizë në Departamentin e Shtetit”.

Dhoma e Përfaqësuesve dëgjoi të premten një dëshmitare të vetme në seancën e dytë publike për hetimin e Presidentit Donald Trump.

Ajo është Marie Yovanovitch, ish ambasadorja amerikane në Ukrainë, e cila u vu në shënjestër të aleatëve të presidentit në një fushatë “njollosjeje” që tani është në qendër të hetimit.

Ndërkohë që zonja Yovanovitch po dëshmonte, Presidenti Trump e sulmoi atë në Twitter, duke thënë se kudo që ajo ka shërbyer, punët kanë shkuar keq. Ish-Ambasadorja u përgjigj se fjalët e presidentit tingëllonin kërcënuese.

Diplomatja e karrierës, u ka shërbyer si presidentëve republikanë, ashtu edhe atyre demokratë.

Ajo dhe zyrtarë të tjerë që po dëshmojnë publikisht në seancat historike të Dhomës së Përfaqësuesve, po japin versionet e tyre të ngjarjeve, ku demokratët po mbështeten për të ngritur argumentin se sjellja e presidentit është e pafalshme.

Adam Schiff, kryetari demokrat i Komisionit të Inteligjencës, vlerësoi zonjën Yovanovitch, duke thënë se ajo u tregua “tepër e ashpër ndaj korrupsionit për disa, dhe qëndrimi i saj parimor i krijoi asaj armiq.”

U bë e qartë se “Presidenti Trump donte që ajo të linte postin,” tha ai.

Numri dy i komisionit, republikani Devin Nunes i Kalifornisë, u ankua se seancat dëgjimore ishin një “shfaqje televizive që zgjaste tërë ditën”.

Ai u ankua se demokratët po mbështeten në dëshmi të formës së thashethemeve, nga dëshmitarë që kanë informacion për veprimet e zotit Trump vetëm nga burime të dorës së dytë. Ai bëri gjithashtu presion që komisioni të dëgjojë dëshmi edhe nga një informator anonim, i cili paralajmëroi për herë të parë zyrtarët në lidhje me thirrjen telefonike të Presidentit Donald Trump me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy në muajin korrik, që është në qendër të hetimeve.

“Këto dëshmi nuk duhet të bëheshin fare,” tha ai.

Me hapjen e seancave dëgjimore të premten, Shtëpia e Bardhë publikoi një transkriptim të përafërt të një telefonate të mëparshme që zoti Trump kishte patur me Presidentin e Ukrainës dhe që ishte kryesisht urim me rastin e zgjedhjes së Zelenskiy-t.

Zonja Yovanovitch dhe diplomatë të tjerë kanë thënë se Rudy Giuliani, avokati personal i Presidentit Trump, ishte njeriu që drejtonte atë që ata e quajnë ‘kanal të parregullt’ jashtë rrjedhës diplomatike të marrëdhënieve SHBA-Ukrainë.

DEMOKRATËT DHE REPUBLIKANËT FORCOJNË MESAZHET

Sot, në ditën e dytë të seancave historike për të shqyrtuar shkarkimin e presidentit të 45-të të SHBA, demokratët dhe republikanët po forcojnë mesazhet e tyre për votuesit ndërsa përpiqen të bëjnë për vete opinionin publik.

Amerikanët janë të pozicionuar thellë në dy kampe në lidhje me hetimin për shkarkimin e Presidentit.

Kjo ka rezultuar në një betejë politike në rritje që do të verë në provë vendin në një nga epokat më polarizuese të kohëve moderne.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi të enjten preferoi të përdorte një fjalë më popullore, “rryshfet” për të përshkruar veprimet e zotit Trump, në vend të frazës latine “quid pro quo” (më jep të jap) që demokratët kanë përdorur rëndom deri tani.

“Quid pro quo: rryshfeti”, tha zonja Pelosi për thirrjen telefonike të Presidentit Trump më 25 korrik, në të cilën ai i kërkoi Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy një favor.

Presidenti Trump thotë se telefonata ishte e përsosur.

Nga ana e saj zonja Pelosi tha: “Ishte përsosmërisht e gabuar. Ishte rryshfet”.

Të enjten, Presidenti Trump vazhdoi të sulmonte hetimet si “një mashtrim”. Ndërkaq, udhëheqësi i republikanëve të pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy hodhi poshtë dëshmitë e paraqitura në seanca si thashetheme dhe informacion të dorës së dytë.

Në thelbin e tij, hetimi për shkarkimin e presidentit ka të bëjë me telefonatën e Presidentit Trump në muajin korrik me Zelenskiy-n që fillimisht tërhoqi vëmendje kur një kallëzues anonim paraqiti një ankesë.

Në bisedën telefonike të korrikut, zoti Trump kërkoi një “favor”, sipas një versioni të dhënë nga vetë Shtëpia e Bardhë. Ai shprehu dëshirën që Ukraina të hetonte demokratët dhe rivalin e tij Joe Biden, kandidat për zgjedhjet presidenciale të 2020-s. Më vonë u zbulua se administrata po ia vononte ndihmën ushtarake Ukrainës. zëri i amerikës

Ambasadori Grenell në mbështetje të nismës për “shengenin ballkanik”

Ambasadori Richard Grenell, i dërguari presidencial amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, tha të enjten se e mirëpret nismën për “shëngenin ballkanik”, duke theksuar se kjo nismë mund të jetë e suksesshme nëse përfshihen të gjithë në rajon, përfshirë edhe Kosovën.

Në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të ambasadës amerikane në Berlin, thuhet se “ne mirëpresim nismën për “mini-Shengenin” e Ballkanit Perëndimor si një mënyrë për të filluar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Ne besojmë se që kjo nismë të jetë e suksesshme, ajo duhet të përfshijë të gjithë në rajon, përfshirë qeverinë e Kosovës. Administrata Trump është e përqendruar për të ndihmuar gjithë rajonin të krijojë mundësi ekonomike dhe punë për të rinjtë”, thuhet në deklaratë.

Një nismë e përbashkët e udhëheqësve të tre vendeve ballkanike, Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut për një Shengen Balkanik, nxiti reagime dhe përplasje në distancë ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës.

Të dielën që lamë pas, në Ohër u mbajt takimi i radhës që pasoi atë të 10 tetorit që u mbajt në Novi Sad dhe aty ishin ftuar edhe Kosova, Mali i Zi e Bosnja e Hercegovina.

Por Kosova refuzoi pjesëmarrjen duke e cilësuar nismën si një përpjekje për rikrijim të një Jugosllavie. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kosova nuk dëshiron ta zëvendësojë ardhmërinë euroatlantike me çfarëdo nisme rajonale.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kandidat për kryeministër të Kosovës, tha të mërkurën se është bërë gabim në hapa lidhur me nismën rajonale për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Shqipëria, sipas tij, është dashur të presë formimin e qeverisë së re të Kosovës para çdo nisme rajonale.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, kritikoi Kosovën për vetizolim ndërsa theksoi se nisma ka për qëllim vetëm lëvizjen e lirë të njerëzve në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. zëri i amerikës


Send this to a friend