VOAL

VOAL

Burns dhe Wisner pas dështimit të takimit në Washington: Ishte një ide e keqe

Ish-zëvendëssekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicholas Burns, dhe Frank Wisner, ish-përfaqësuesi special për Kosovën në administratën e presidentit amerikan George W.Bush, kanë thënë se ideja për takim në Washington mes Kosovës dhe Serbisë, ishte e gabuar që nga fillimi.

Në një opinion të publikuar në prestigjiozen “WashingtonPost”, dy figurat e njohura kanë thënë se takimi i planifikuar për 27 qershor ka dështuar ende pa nisur, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi të mërkurën aktakuzën ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerëve për krime lufte.

Megjithatë, ata e kanë vlerësuar të gabuar idenë e këtij takimi duke kundërshtuar qasjen “e njëanshme” të administratës së presidentit Donald Trump. Sipas tyre, ngritje a akuzës ndaj Thaçit është arsye shtesë që SHBA-ja të rikonsiderojë përpjekjet e veta për negociata. Për këtë kanë dhënë disa arsye.

“E para, Trumpi ka ndërmarrë një kampanjë diplomatike i vetëm në Kosovë në vend se të bashkëpunonte në tandem me Bashkimin Evropian, përfshirë aleatët e mëdhenj Gjermaninë dhe Francën. Ai ka ‘shqelmuar’ ndërmjetësuesin e BE-së dhe madje edhe presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili kishte propozuar të mbante një Samit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, për herë të parë në dy dekada, po udhëhiqnin ndaras dy kampanja negociuese, duke shkaktuar konfuzion te serbët dhe kosovarët. Kjo kërcënon të ngadalësojë, në vend se të përshpejtojë, progresin drejt marrëveshjes”, kanë thënë ata si arsye të parë.

Si arsye të dytë, ata kanë renditur çështjen se shtetet e Ballkanit më së shumti kanë nevojë për ndihmën ekonomike nga Evropa.

“SHBA-ja, në anën tjetër, ka një prezencë më të dobët ekonomike në rajon”, kanë shpjeguar ata.

Sipas tyre, përçmimi i Evropës nga Trumpi ka ndarë miqtë e rajonit dhe ka ulur shanset që të arrihet një marrëveshje e suksesshme mes Kosovës e Serbisë.

Ata kanë shtuar se një nga arsyet e përzierjes së Trumpit në këtë çështje mund të jetë edhe përplasja që ka pasur me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Në arsyen e tretë, Burns e Wisner kanë theksuar se motivi kryesor i Trumpit ka qenë arritja e një marrëveshjeje për të marrë lëvdata për politikën e jashtme para zgjedhjeve të 3 nëntorit.

“Ekziston frika se Trumpi mund të shtyjë Kosovën për të bërë lëshime territoriale për Serbinë që do të ishte potencialisht shpërthim i paprecedent në rajonin jostabil të Ballkanit”, kanë shkruar ata.

Të dy njohësit e situatës së Kosovës kanë thënë se dyshojnë se “mund të arrihet një marrëveshje e suksesshme me një qasje kaq të njëanshme”.

“Presidentët Bill Clinton, Bush dhe Barack Obama janë nisur nga një premisë e përbashkët për shtetet e Ballkanit – me theks Serbia, Kosova, Bosnja, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria, si dhe Bullgaria, Kroacia, Greqia e Sllovenia – duhet të jenë të sigurt në kufijtë e tyre dhe t’u bashkëngjiten NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të ardhmen e tyre të sigurt”, kanë thënë ata.

Ata kanë theksuar se SHBA-ja gjithmonë ka kundërshtuar shkëmbimet territoriale për shkak të frikës se mund të nxisë luftë të re dhe ka kundërshtuar edhe idenë e “Shqipërisë së Madhe”. “Shtyrja e Kosovës dhe Serbisë për të rivizatuar kufijtë është precedent i rrezikshëm që mund të minojë edhe marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë si dhe të shthurë marrëveshjen e Daytonit në Bosnje”, kanë shtuar Burns e Wisner.

“SHBA-ja ka qenë mike e mirë e Kosovës që kur intervenuam me aleatët në NATO për të parandaluar masakrimin e shqiptarëve të Kosovës nga ushtria serbe më 1999. Ne i dhamë fund asaj lufte. Forcat e NATO-s, përfshirë kontingjentet e SHBA-së, kanë ruajtur paqen që nga ajo kohë. Shërbimi i Jashtëm dhe Ushtria kanë punuar shumë të ndihmojnë Kosovën të arrijë dhe të sigurojë paqen dhe pavarësinë. Presioni i hapur i administratës Trump ndaj liderëve të Kosovës në muajt e fundit, dhe qëndrimi më i përshtatshëm ndaj qeverisë autoritare në Serbi, ka qenë në mospërputhje me miqësinë tonë dhe ka dobësuar institucionet fragjile qeverisëse në Kosovë. Lëvizja e mençur e Trumpit do të ishte po të bashkonte forcat me evropianët, kosovarët e serbët për t’u pajtuar në masat për të rritur investimet në infrastrukturën në rajon dhe për të hequr barrierat në tregti”, kanë shtuar ata.

E kanë quajtur gabim edhe kërcënimin e administratës Trump për heqjen e trupave të SHBA-së nga misioni në Kosovë.

“Nuk ka zgjidhje të shpejta në Ballkan”, kanë thënë të dy.

Burns është profesor në Universitetin e Harvardit dhe ish-zëvendëssekretar i Shtetit. Ai është këshilltar i Joe Bidenit, kandidatit të Partisë Demokratike për president. Frank Wisner ishte përfaqësuesi special për Kosovën në administratën e presidentit George W.Bush.

DASH: Ngritja e akuzave nga Prokurori i Specializuar, hap përpara për drejtësinë në Kosovë

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara inkurajojnë Gjykatën Speciale për Kosovën dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar t’i përmbahen mandatit të tyre ndërkohë që avancon kjo çështje përmes sistemit të drejtësisë.

“Njoftimi është rezultat i një procesi që vazhdon prej 20 vjetësh,” tha zëdhënësi, i cili bëri komente për Zërin e Amerikës, në kushte anonimiteti.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se ngritja e akuzave e njoftuar nga Prokurori i Specializuar është një hap përpara për procesin e realizimit të drejtësisë dhe ripajtimit në Ballkanin Perëndimor. Njoftimi është esencial për avancimin e shtetit ligjor dhe drejtësisë për viktimat në Kosovë, si dhe për vendin, që të kapërcejë këtë periudhë të tmerrshme dhe të bashkohet me komunitetin euro-atlantik,” tha për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, njoftoi të mërkurën se ka ngritur akuza ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill.

Daniel Serwer Ambasadorit Grenell në Twitter: E kam të vështirë të bindem se Grenell nuk ishte i njoftuar paraprakisht !

Voal.ch – Ka reaguar Analisti amerikan dhe Profesor i Universitetit Johns Hopkins Daniel Serwer pas postimit të Ambasadorit Richard Grenell, të dërguarit të posaçëm të Presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi në Twitter i cili njofton se Shtëpia e Bardhë është dakord me vendimin e Hashim Thaçit për anullimin e udhëtimin e tij për në Washington DC.

 

Richard Grenell në Twitter:Presidenti i Kosovës sapo na ka informuar se ka anuluar udhëtimin e tij në Uashington, D.C pas njoftimit të bërë nga Zyra e Prokurorëve Speciale.
Unë e respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutime derisa çështjet ligjore të atyre pretendimeve të zgjidhen.

Reagimi i Daniel Serwer: Padyshim duket sikur amerikanët vendosën të preferojnë të merren me kryeministrin e Kosovës. Prokurori i Gjykatës Speciale është një Amerikan i emëruar nga Administrata Trump. E kam të vështirë  të bindem se @RichardGrenell nuk ishte informuar  paraprakisht.”

 

/EB

 

 

Prokurori Zelinsky, frika nga Presidenti Trump çoi në ndryshimin e memorandumit për dënimin e zotit Stone

Marrë nga Reuters

Prokurori Aaron Zelinsky pritet të thotë gjatë një seance në Kongres se zyra federale që drejtoi ndjekjen penale të mikut të Presidentit Donald Trump, Roger Stone, u përball me “presion të rëndë nga nivelet më të larta të Departamentit të Drejtësisë” për të lehtësuar rekomandimin mbi masën e dënimit të tij.

Prokurori Zelinsky, i cili u tërhoq nga çështja e zotit Roger Stone në shenjë proteste, do të dëshmojë të mërkuren para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Drejtësinë, të kontrolluar nga demokratët, në lidhje me presionet politike me të cilat ai tha Zyra e Prokurorëve amerikan në Uashgington po përballen.

Sipas deklaratës së përgatitur, ai gjithashtu do të thotë se Tim Shea, ushtruesi i detyrës së Prokurorit amerikan në atë kohë, i cili u emërua nga Prokurori i Përgjithshëm William Barr, përfundimisht u tërhoq për shkak të presionit dhe “frikës nga Presidenti”.

Në dëshminë e tij të përgatitur, Zelinsky nuk e thotë kurrë në mënyrë të qartë se kush i bëri presion prokurorit Shea, por se atij i është thënë se ndaj zotit Shea “po ushtrohej presion i madh nga nivelet më të larta të Departamentit të Drejtësisë për një dënim më të lehtë për zotin Stone”.

“Më është thënë në mënyrë të drejtpërdrejt se motivimi për ndryshimin e memorandumit të dënimit ishte politik, dhe sepse Prokuroi kishte “frikë nga Presidenti”, tha zoti Zelinsky.

Republikanët pritet t’i kundërvihen dëshmisë së tij, duke thënë se ai po ngatërron politizimin me mosmarrëveshjet mbi politikat e Departamentit të Drejtësisë.

Zoti Zelinsky tha se prokurorët e karrierës nuk e panë draftin e memorandumit të rishikuar, të cilin Prokurori Shea e dorëzoi pasi Presidenti Trump kishte kritikuar ashpër zyrën në Twitter për rekomandimin e saj origjinal për një dënim prej 7 deri 9 vjet burg.

Presidenti republikan e quajti rekomandimin “të tmerrshëm” dhe “një ndarje të padrejtë të drejtësisë”. Miqësia e zotit Stone me zotin Trump ka filluar disa dekada më parë.

Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Kerri Kupec tha në një prononcim se zoti Zelinsky nuk kishte pasur asnjë diskutim për dënimet me Prokurorin e Përgjithshëm William Barr ose anëtarët e tjerë të udhëheqjes politike të departamentit dhe pretendimet e tij ishin të bazuara në interpretimet e tij dhe thashetheme.

Prokurori Barr nuk e ka diskutuar masën e dënimit për zotin Stone me Presidentin Trump ose dikë tjetër në Shtëpinë e Bardhë, dhe e kishte marrë vendimin për të rishikuar çështjen përpara postimeve të Presidentit Trump në Twitter, tha zëdhënësja Kupec.

Stone, 67 vjeç, i cili u dënua për pengim të drejtësisë, ndërhyrje tek dëshmitarët dhe gënjim para Kongresit gjatë hetimit për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, do të paraqitet në burg më vonë këtë muaj për të filluar vuajtjen e dënimit të tij prej tre vjet e katër muajsh. Ai po kërkon një shtyrje të fillimit të vuajtjes së dënimit për shkak të shqetësimeve në lidhje me mundësinë e infektimit me Covid-19. zëri i amerikës

Carpenter: Pas aktakuzës ndaj Thaçit, dialogu në Uashington do të duhej anuluar

Kestrin Kumnova

Ish-zyrtari i Pentagonit, që ka qenë përgjegjës për Ballkanin, Michael Carpenter, ka thënë se aktakuza e paraqitur nga Prokuroria Speciale në Hagë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, mund të ndikojë në dialogun e planifikuar të mbahet më 27 qershor në Uashington, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zoti Carpenter aktualisht është drejtor menaxhues i Qendrës Penn Biden për Diplomacinë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar të mërkurën se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Carpenter ka thënë se takimi do të duhej të anulohej..

“Unë pres që samiti të anulohet, por me administratënTrump asgjë nuk është e parashikueshme. Unë nuk mund të them me siguri se si do të reagojnë, por në këto rrethana, kështu do të duhej të reagonin”, ka thënë Carpenter.

Sipas tij, akuzat ndaj Thaçit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli janë shumë serioze dhe ndikimi i tyre në dialog “do të ndodhë për faktin se presidenti Thaçi e ka udhëhequr atë për vite me radhë”.

Carpenter pret që në këto rrethana, dialogu të udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Në aktakuzën me dhjetë pika për shqyrtim, presidenti Thaçi, Veseli dhe të tjerët, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit pretendon se “Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e prokurorit.

Aty është thënë se aktakuza është rezultat i një hetimi të gjatë dhe se një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale është duke analizuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Intervistën e plotë me Carpenter mund ta lexoni nesër [25 qershor] në evropaelire.org.

Në mes të pandemisë në Arizona, Presidenti Trump lavdëron murin kufitar

Steve Herman

Para fjalimit në Finiks të martën, Presidenti Trump vizitoi një segment të murit kufitar në Arizona.

Presidenti dhe zyrtarët e tjerë lane firmat mbi mur. Zoti Trump foli për murin si faktor për ndalimin e emigrantëve të paligjshëm dhe koronavirusit.

Por në fakt Arizona është një ndër vatrat e nxehta të epidemisë aktualisht në SHBA. Para mbërritjes së presidentit, autoritetet shtetërore njoftuan afro 3600 raste të reja me infeksion.

Në total Arizona ka 54 mijë raste me koronavirus dhe mbi 1300 të vdekur, sipas Universitetit Johns Hopkins.

“Kufijtë tanë nuk kanë qenë kurrë më të sigurtë. Kjë është struktura më e fuqishme dhe mbrojtëse se çdo structurë kudo në botë,” tha presidenti.

“Autoritetet e shëdentit publik bënë të mundur që të ndalim katastrofën e koronavirusit të futej nga kufiri jugor, duke ndalur trafikun me njerëz dhe duke i kthyer pas ata që shkelnin kufirin. Pa këto masa, kufiri do të ishte bërë epiqendra globale e përhapjes së epidemisë,” tha presidenti.

Presidenti u shoqërua në qytezën Yuma nga Sekretari i Sigurisë Kombëtare në detyrë, Chad Wolf si dhe Komisioneri në detyrë për Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare, Mark Morgan. Ata vizituan segmentin e murit në kufi me Meksikën në San Luis të komunës Yuma.

Qeveria amerikane thotë se që nga janari 2017 ka pasur ndërtime në një shtrirje prej 338 km, por duket se vetëm 4.8 km mur janë ngritur në vijën kufitare ku nuk kishte më parë barriera.

“Muri i ri në shumë vende është dy herë më i lartë se më parë dhe janë ndërtuar shumë milje në zona ku kishte vetëm barriera makinash,” thotë për Zërin e Amerikës analisti David Bier i Institutit Cato.

Muri kufitar në Arizonë

Muri kufitar në Arizonë

Diskutime në Arizona

Në Yuma presidenti zhvilloi bisedime me zyrtarë shtetërorë. Presidentit iu drejtua pyetja për të ardhmen e personave të mbrojtur nga akti DACA, që parandalon deportimin e personave të ardhur në SHBA në moshë të mitur në mënyrë të paligjshme. Gjykata e Lartë dha vendim ditët e fundit se administrata Trump nuk ka të drejtë të pezullojë DACA-n:

“Do ta zgjidhim DACA-n. Do ta paraqesim përsëri në gjykatë çështjen. Demokratët kanë luajtur prej vitesh me këtë temë, nuk kanë zgjidhur asgjë. Unë do ta zgjidh,” tha presidenti.

Fjalimi në​ Finiks

Më pas presidenti shkoi në Finiks për një fjalim para 3000 pjesëmarrësve të mbledhur në një kishë, pjesa më e madhe anëtarë të organizatës “Studentët për Trumpin”.

Kisha “The Dream City” postoi një video ku tregonte se kishte instaluar “teknologjinë e jonizimit” duke premtuar se kjo teknologji “vret 99.9% të COVID-it për 10 minuta” dhe se ata që do të marrin pjesë si dhe presidenti “do të jenë të mbrojtur nga infeksioni”.

Nuk ka prova shkencore se këto pajisje për filtrimin e ajrit mund të parandalojnë transmetimin e virusit në mjedise të mbyllura.

Komuna e Yuma-s dhe qyteti i Finiksit kanë deklaruar rregullore për vënien e maskave në publik.

Aktiviteti në kishë “nuk u planifikua me leje apo parapëlqim të qytetit të Finiksit, pasi qyteti nuk lejon aktiviteti politike,” tha kryebashkiakja e Finiksit, Kate Gallego. “Unë vetë nuk mendoj se një aktivitet me përmasa të tilla mund të zhvillohet pa rrezikuar pjesëmarrësit, sidomos në Arizonë ku kemi parë rritje të numrit të personave me COVID, Presidenti ka vendosur ta zhvillojë tubimin”.

Të gjithë ata që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, “sidomos zyrtarët e zgjedhur, duhet të japin shembullin e tyre duke vënë maskë. Këtu përfshihet edhe presidenti,” tha kryebashkiakja.

Presidenti është ndeshur me kritika për aktivitetin e së shtunës, aktiviteti më i madh publik në një sallë të mbyllur që kur filluan masat e distancimit fizik. Aktiviteti krijoi edhe më shumë shqetësim pasi Oklahoma, ku e zhvilloi presidenti tubimin, ka përjetuar shtim të rasteve gjatë ditëve të fundit.

Sipas Repartit të Zjarrfikësve të qytetit Tulsa, në sallë ishin mbledhur rreth 6200 nga 19 mijë e 199 sediljet e qendrës “Bank of Oklahoma Center”. Fushata për rizgjedhjen e zotit Trump këmbëngul se kishte rreth 12 mijë pjesëmarrës.

Thirret të dëshmojë në Kongres shefi ekzekutiv i USAGM, Michael Pack

Ken Bredemeier

Një ligjvënës i rëndësishëm amerikan të martën thirri zotin Michael Pack, shefi i ri ekzekutiv i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM) që përfshin Zërin e Amerikës dhe disa rrjetet të tjera mediatike ndërkombëtare të financuara nga qeveria amerikane, që të dëshmojë muajin që vjen se pse ai pushoi nga puna disa zyrtarë të lartë dhe punësoi të emëruar politikë nga administrata e Presidentit Trump në strukturën drejtuese të agjencisë.

Kongresmeni demokrat nga Nju Jorku Eliot Engel, i cili drejton Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Mardhënie me Jashtë, caktoi seancën dëgjimore me 8 korrik. Zoti Pack dhe USAGM nuk kanë lënë të kuptohet nëse shefi i ri ekzekutiv ka në plan të dëshmojë.

Ndërkohë, Komisioni i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë njoftoi se Senatori Bob Menendez, demokrati më i lartë në komision, i ka kërkuar inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Shtetit që të hetojë nëse pushimet nga puna bien ndesh me rregullat federale që mbrojnë pavarësinë e agjencisë së lajmeve.

Javën e shkuar, zoti Pack pushoi nga puna drejtuesit e Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, Radio Azia e Lirë, Rrjetit të Transmetimeve për Lindjen e Mesme dhe Fondit për Teknologji të Hapur, pa dhënë shpjegime. Disa ditë më parë, drejtoresha e Zërit të Amerikës Amanda Benet dhe zënvendësja e saj Sandy Sugawara, dhanë dorëheqjen duke thënë se zoti Pack gëzon të drejtën për të zgjedhur ekipin që dëshiron ai.

Shkarkimet kanë bërë që kritikët të akuzojnë shefin e ri ekzekutiv për spastrim të zyrtarëve që shihen si jo besnikë ndaj Presidentit Trump. Kritikët kanë shprehur shqetësime të thella për reputacionin dhe kredibilitetin e agjencisë së lajmeve tek audienca ndërkombëtare.

As zoti Pack dhe as USAGM nuk kanë reaguar mbi polemikat.

Përmes një deklerate, zoti Engel i cili ka 31 vjet si anëtar në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se lëvizjet e hershme të shefit të ri ekzekutiv “dërgojnë një mesazh alarmues”.

“Zoti Pack duhet të shpjegojë para komisionit dhe popullit amerikan vizionin e tij për agjencinë, arsyen për pushimin e menjëhershëm të kaq shumë zyrtarëve të lartë, dhe veprimet e tij të tjera fillestare.”

Senatori Menendez ndërkohë ka kërkuar hetime nëse pushimet nga puna bien ndesh me rregullin federal që hyri në fuqi në fillim të muajit që deklaron se, “rrjetet në ombrellën e USAGM gëzojnë të drejtën për pavarësi të plotë editoriale, në formën që ky term përcaktohet dhe kuptohet nga praktikat më të mira të gazetarisë”.

Në kërkesën e tij drejtuar zyrës së inspektorit të përgjitshëm të Departamentit të Shtetit, Stephen Ankard, zoti Menendez shkruante: “Pushimi nga puna i udhëheqjes së secilit rrjet dhe shpërbërja e bordeve duket se përbëjnë një përpjekje për të ndërhyrë dhe ndikuar në mënyrë të padiskutueshme tek të gjitha rrjetet e USAGM, përfshirë udhëheqjen e tyre, zyrtarët dhe punonjësit…në kryerjen e detyrave dhe punës gazetareske.”

Përmes një emaili të dërguar punonjësve të rrjeteve të Agjencisë së Shteteve të Bashkura për Median Globale (USAGM), zoti Pack tha se ai ishte tërësisht i angazhuar për respektimin e statusit të Zërit të Amerikës, misionit të rrjeteve të tjera dhe pavarësinë e gazetarëve të saj heroikë kudo në botë.

Zoti Pack po ashtu u shpreh se do të mbronte pavarësinë e organizatave të lajmeve gjatë seancës së konfirmimit në Senat vjeshtën e kaluar.

“E gjithë agjencia mbështetet në besimin që gazetarët janë të pavarur, se asnjë influencë poltike nuk u dikton atyre se si të raportojnë lajmet dhe çfarë të thonë. Pa atë besim, mendoj se agjencia është plotësisht e minuar.”

Megjithatë, disa grupe të mbikëqyrjes së medias dhe organizata lajmesh, përshirë gazetat “New York Times” dhe “Washington Post”, kanë vënë në pikëpyetje gatishmërinë e zotit Pack për të rezistuar ndaj presionit politik, ndërsa kanë theksuar të kaluarën e tij si regjisor konservator dhe bashkëpunëtor i ish-këshilltarit të Presidentit Trump, Stephen Bannon.

Rregulli i cituar nga Senatori Menendez u miratua në fillim të muajit nga USAGM ndërsa zoti Pack mori drejtimin e agjencisë. Rregulli përbënte udhëzime që sqaronin mbrojtjen e gazetarëve nga ndërhyrjet politike.

“Pavarësia editoriale përfshin, por nuk kufizohet, tek fakti që vetëm individët brenda rrjetit mund të marrin ndonjë vendim në lidhje me mbledhjen e lajmeve ose raportimin,” thanë drejtuesit.

“Rrjetet e USAGM dhe punonjësit e tyre, përfshirë drejtuesit e secilit rrjet, janë tërësisht të mbrojtur nga çdo presion politik apo proces i jashtëm që do të jetë në kundërshtim me standardet më të larta të gazetarisë profesionale”.

Twitter vë shënim paralajmërues për postimin e Presidentit Trump

Platforma e medias sociale Twitter tha të martën se kishte vënë një shënim paralajmërues për një postim të Presidentit Trump, duke e cilësuar si koment që shkel politikat e kompanisë kundër sjelljeve abuzive.

“Nuk do të ketë kurrë një “Zonë Autonome” në Uashington, për sa kohë që unë jam president. Nëse përpiqen, do të ndeshin në forcë serioze,” shkruante presidenti në postim.

Përmes një postimi të saj, kompania Twitter njoftonte se e kishte fshehur komentin e presidentit pas njoftimit të saj në “interes të publikut” pasi komenti përfshinte kërcënime për lëndime ndaj një grupi të identifikuar.

Protestues kundër racizmit të hënën deklaruan një Zonë Autonome pranë Kishës së Shën Gjonit para Shtëpisë së Bardhë. Kjo frazë e merr frymëzimin nga termi me të cilin protestuesit në qytetin e Siatellit kanë pagëzuar zonën e zaptuar, të cilën e kanë quajtur “Zona Autonome e Kodrës së Kapitolit”. zëri i amerikës

SHBA, protestuesit tentojnë të rrënojnë statujën e Andrew Jackson para Shtëpisë së Bardhë

Washington

Statuja e ish-presidentit amerikan Andrew Jackson brenda Parkut Lafayette përpara Shtëpisë së Bardhë, ishte në shënjestër të një grup demonstruesish, raporton Anadolu Agency (AA).

Thyerja e statujave në vende të ndryshme që nisi si reagim kundër racizmit pas vdekjes së afro-amerikanit George Floyd si pasojë e dhunës policore, arriti edhe në Shtëpinë e Bardhë.

Qindra demonstrues lidhën me litarë statujën e presidentit të 7-të të SHBA-së, Jackson, e konsideruar si simbol i Parkut Lafayette, duke u përpjekur ta rrëzojnë atë.

Ndërkohë, gjersa protestuesit me parulla kundër Jackson vazhduan përpjekjet e tyre për prishjen e statujës, policia e parkut dhe policia e Shërbimit Sekret ndërhynë me shpejtësi.

Policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit dhe e mori statujën nën mbrojtje.

Jackson njihet si arkitekti i Aktit të Largimit të Indianëve, që u bë shkak për vdekjen e shumë vendasve, si dhe president që zotëronte shumë skllevër.

Reagon Trump

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar në Twitter për incidentin.

“Shumë njerëz u arrestuan për vandalizmin e turpshëm ndaj statujës së mrekullueshme të Andrew Jackson në Parkun Lafayette”, shkroi Trump.

Ai tha se persont në fjalë mund të dënohen deri në dhjetë vite burgim sipas një ligji për ruajtjen e përmendoreve.

Ndryshe, tashmë disa javë në shtete të ndryshme të SHBA-së janë rrënuar ose shkatërruar shumë statuja të drejtuesve ose komandantëve të periudhës së konfederatës të cilët kanë qenë përkrahës të skllavërisë.

Kreu i demokratëve në Senatin amerikan: Diaspora duhet të ketë të drejtën e votës në Shqipëri

Kreu i demokratëve në Senatin amerikan, Chuck Schumer i bën thirrje Departamentit të Shtetit të përpiqet me të gjitha mënyrat për të mbështetur marrëveshjen për reformën zgjedhore në Shqipëri, si dhe kërkesën e diasporës shqiptare për të drejtën për të votuar nga vendet ku jetojnë.

Në një letër dërguar të hënën Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, Senatori demokrat Chuck Schumer shkruan se “si senatori më me eksperiencë nga Nju Jorku, ku ka një komunitet të madh shqiptaro-amerikan dhe si përkrahës prej kohësh i demokracisë dhe vetvendosjes në Shqipëri dhe Balkan, ju shkruaj për të shprehur mbështetje për përpjekjet e fundit për të përmirësuar procesin zgjedhor në Shqipëri, një ndër demokracitë më të reja në Evropë”.

Senatori Schumer e cilëson marrëveshjen që premton “të përmirësojë transparencën në administrimin e zgjedhjeve, depolitizimin e numërimit të votave dhe më shumë zgjedhje pa ndërhyrje në procesin elektoral” një hap të rëndësishëm përpara për Shqipërinë drejt shndërrimit në një demokraci plotësisht të integruar në Bashkimin Evropian.

Zoti Schumer bën thirrje që Departamenti i Shtetit, në veçanti Zyra për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, të mbështesë publikisht reforma të mëtejshme, përfshirë të drejtën e diasporës për të votuar që t’i ofrojnë më shumë ndikim edhe “një milion shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, përfshirë ata që jetojnë në Shtetet e Bashkuara”.

“Në përputhje me praktikën në mbi 150 vende në të gjithë botën, përfshirë thuajse të gjitha vendet evropiane, shqiptaro-amerikanët duhet të kenë të drejtën të marrin pjesë në zgjedhje” nga vendet ku jetojnë aktualisht.

Senatori Schumer shkruan se shqiptaro-amerikanët pasurojnë shoqërinë amerikane, janë krenarë për trashëgiminë e tyre dhe duhet të kenë të drejtën të shprehin opinionin e tyre në çështje që prekin atdheun e tyre, përmes pjesëmarrjes në procesin zgjedhor.

“Në emër të elektoratit tim shqiptaro-amerikan, ju nxis të mbështesni këto reforma shumë të rendësishme dhe të nevojshme të demokracisë në Shqipëri,” shkruan Senatori Churck Schumer në mbyllje të letrës drejtuar Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo.

Në Shqipëri, palët politike arritën në fillim të muajit marrëveshje për reformën zgjedhore. Zgjidhja erdhi pasi u kapërcye ngërçi që lidhej me një prej rekomandimeve bazë të OSBE/ODIHR-it, lidhur me depolitizimin e administratës zgjedhore.

Por deputetë të opozitës parlamentare kanë thënë se mund të mos miratojnë në Kuvend ndryshimet e Kodit Zgjedhor sipas marrëveshjes së arritur në Këshillin Politik.

Ata kërkojnë depolitizimin e komisioneve zgjedhore, ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe votimin e emigrantëve. zëri i amerikës

(Video) Rrëzohen statujat e misionarit katolik Shën Junipero Serra bashkë me Francis Scott Key & Ulise S. Grant

Po me misionarin katolik çfarë patën?

Rrezohet një statujë e misionarit katolik Shën Junipero Serra në një park të San Franciskos të Premten, së bashku me statuja të Francis Scot Ki (Scott Key) dhe Ulise S. Grant.

Statujat u rrëzuan më 19 Qershor 2020 të Premten në mbrëmje në Golden Gate Park, në Kaliforni, nga një grup prej rreth 100 personash.

Gjatë shekullit të tetëmbëdhjetë, shenjti Serra themeloi nëntë misione katolike në zonën që më vonë do të quhej Kaliforni, e shumë prej këtyre misioneve do të vazhdonin të bëheshin qendrat e qyteteve të mëdha të Kalifornisë.

Serra ndihmoi ne konvertimin shpirteror te mijëra vendasve në krishterim dhe u mësoi atyre teknologji të reja bujqësore. Statuja në Golden Gate Park u vendos për herë të parë në vitin 1907, dhe u krijua nga skulptori i njohur amerikan Douglas Tilden.

Kritikët e kanë sulmuar Shenjtin Serra si një simbol të kolonializmit evropian dhe kanë thene se misionet i detyronin vendasit në punë te detyruar bile ndonjëherë edhe vete Serra thonë ata ,ishte abuziv.

Por mbrojtësit e Serres thonë se Serra ishte në të vërtetë një avokat i popullit vendas dhe një kampion i të drejtave të njeriut. Ata theksojnë se shumë njerëz vendas u ndihmuan prej tij dhe kjo u vertetua me zbarkimin e mijra vetave vendas , që ishin shumë te pikelluar kur vdiq Serra.

Biografët vërejnë se Serra ndërhynte shpesh për vendasit kur përballeshin me përndjekje nga autoritetet spanjolle. Në një rast, prifti ndërhyri për të kursyer jetën e disa vendasve në Kaliforni që kishin sulmuar një post spanjoll.

Në një letër që kërkonte trajtim të ndershëm me njerëzit autoktonë , Serra shkroi se “nëse indianët do të më vrisnin mua … ata duhet të falen”.

Kryepeshkopi i Los Anxhelesit Jose Gomez tha në vitin 2015 se Serra kishte “dashuri të thellë për popullin vendas për te cilin kishte ardhur për ta ungjillizuar”.

“Në thirrjet e tij, ai tha disa gjëra me të vërtetë të jashtëzakonshme në lidhje me dinjitetin njerëzor, të drejtat e njeriut dhe mëshirën e Zotit,” shtoi kryeipeshkvi i Los Anxhelesit.

Në vitin 2017, Gomez vlerësoi Serrën si një themelues amerikan të harruar. «Kujtimi i Shën Juniperos dhe misionarët e parë ndryshon mënyrën se si ne kujtojmë historinë tonë kombëtare. Ajo na kujton që fillimet e para të Amerikës nuk ishin politike. Fillimet e para të Amerikës ishin shpirtërore, “tha Gomez në një homeli gjatë vitit 2017.

Papa Françesku e shpalli shenjt, pra e kanonizoi misionarin françeskan Junipero Serra në Uashington, D.C më 23 shtator 2015.

“Junípero u përpoq të mbronte dinjitetin e komunitetit vendas, ta mbronte atë nga ata që e kishin keqtrajtuar dhe abuzuar”, tha Papa në homilinë e tij në meshën e kanonizimit. “Keqtrajtimet dhe gabimet që sot na shqetësojnë, veçanërisht për shkak të dëmtimit që ato shkaktojnë në jetën e shumë njerëzve.”

“Junípero Serra la tokën e tij të lindjes dhe mënyrën e tij të jetesës,” vazhdoi Papa. “Ai ishte i entuziazmuar për shtigje të pahapura, duke shkuar për të takuar shumë njerëz, duke mësuar dhe vlerësuar zakonet e tyre të veçanta dhe mënyrat e jetesës. Ai mësoi se si te ndizte shkendijen dhe të ushqente jetën e Zotit me të gjithë ata që ai takoi; ai dhe ata u bëne si vëllezërit dhe motrat e tij. ”

Në vitin 2018, qeveria e qytetit të San Franciskos hoqi një statujë të shenjtorit nga një shesh qe ndodhej jashtë nderteses se Bashkisë. Por një statujë e shenjtorit Serra ndodhet në Kapitolin e SHBA.

Anembane Amerikes protestuesit gjate kësaj jave kanë shembur statuja të figurave historike. Ndërsa disa protesta kanë rrëzuar statuja te figurave të Konfederatës, si pjesë e një thirrje për t’i dhënë fund racizmit sistemik, statuja të tjera gjithashtu janë shkatërruar nga vendet e spikatura, përfshirë një nga statujat e Xhorxh Washingtonit gjithashtu.

Po ashtu edhe statuja e Ulise Grantit u hoq, nderkohe qe ai ishte personi qe kërkoi ratifikimin e amendamentit të 15-të, i cili iu siguroi afrikano-amerikanëve të drejtën e votës, dhe në 1870 krijoi Departamentin Federal të Drejtësisë në mënyrë që të ndiqte penalisht Ku Klux Klanin.( Perkthyer nga Merita McCormack)

https://www.catholicnewsagency.com/news/st-junipero-serra-statue-torn-down-in-san-francisco-park-81125?fbclid=IwAR2rV7IqttYH5zvyJeD5kE_21nANvOQF6b16ZaKA3g2Bta_6sV1BKgdn61A

 

 

Frikë nga virusi, pjesëmarrje e ulët dhe brohoritje në tubimin e Presidentit Trump

Patsy Widakuswara

Presidenti Donald Trump mbajti një tubim fushate në Tulsa të Oklahomës të shtunën në mbrëmje, i pari që kur filloi pandemia e koronavurusit.

Aktiviteti kishte si synim të ishte një demonstrim force politike për të mobilizuar bazën para zgjedhjeve të nëntorit, por u karakterizua nga frika për koronavirusin dhe një pjesëmarrje më e ulët nga ç’pritej.

Presidenti Trump tha se “shumica e heshtur është më e fortë se kurrë më parë”, dhe i quajti përkrahësit e tij “luftëtarë”. Ai foli për tema të njohura të fushatës, përfshirë për emërimin e gjyqtarëve konservatorë, taksa të ulëta, fuqizimin e bursës, murin në kufirin jugor me Meksikën dhe rritjen e buxhetit për ushtrinë. Fjalimi që zgjati 1 orë dhe 40 minuta, ishte i mbushur me sulme ndaj rivalit të tij demokrat në fushatën presidenciale, Joe Biden, “të majtës radikale” dhe “lajmeve të rreme”.

Zoti Trump e mbrojti menaxhimin e pandemisë nga ana e administratës së tij, duke fajësuar për shifrat e larta – mbi 2.3 milionë raste me koronavirus dhe 121 të vdekur në gjithë vendin – numrin e lartë të testimeve.

“Kur bën aq shumë testime, do të gjesh më shumë raste. Prandaj u thashë njerëzve të mi: ndadalësojeni testimin, ju lutem”, tha zoti Trump duke shtuar se administrata e tij “ka shpëtuar mijëra jetë”.

Ndërsa Presidenti Trump i është referuar shpesh koronavirusit si “virusi kinez”, për herë të parë e karakterizoi atë publikisht si “kung fu” dhe fajësoi Pekinin për pandeminë.

Duke tallur thirrjet nga disa pjesëtarë të së majtës për t’i hequr buxhetin policisë, zoti Trump iu rikthye shprehjes së ngakuar racore “hombre.”

“Është ora 1 e mëngjesit. Një hombre i fortë hyn nga dritarja dhe një grua që nuk e ka të shoqin në shtëpi, telefonin policinë dhe ata thonë: më falni ky numër nuk funksionon më “, tha ai.

Në një fjalim përqendruar kryesisht tek çështjet e brendshme, zoti Trump lavdëroi veten për vrasjen e udhëheqësit të ISIS-it Abu Bakr al-Baghdadi dhe gjeneral majorit të Gardës Revolucionare iraniane Qassem Soleimani. Ai e përmendi Kinën të paktën 11 times, kryesisht në kontekstin e fajësimit për pandeminë dhe luftën tregëtare dhe duke e quajtur kandidatin demokrat presidencial Joe Biden “një kukull të Kinës”.

Presidenti nënvlerësoi lëvizjen Black Lives Matter dhe mbulimin nga media të protestave pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd më 25 maj në duart e oficerëve të policisë.

“Ata asnjëherë nuk flasin për COVID-in. Sheh 25 mijë vetë të ecin në Nju Jork ose në rrugë të qyteteve të drejtuara nga demokratët dhe nuk dëgjon kurrë të flitet se ata nuk kanë veshur maskë”, tha ai.

Duke sulmuar lëvizjet në gjithë vendin për heqjen ose zëvendësimin e monumenteve që nderojnë gjeneralët e konfederatës, zoti Trump u tha përkrahësve:

“Kjo fushatë mizore censure dhe përjashtimi dhunon çdo gjë që është e shtrenjtë për ne si amerikanë. Ata duan të shkatërrojnë trashëgiminë tonë, që të vendosin që një regjim të ri shtypës në vend të tij”, tha ai.

Pjesëmarrje më e ulët nga ç’pritej

Fushata e zotit Trump anulloi fjalimet e Presidentit dhe nënpresidentit Mike Pence për përkrahësit jashtë qendrës BOK, ku u mbajt tubimi, pasi pjesëmarrja dukej të ishte më e ulët nga ç’ishte pritur. Fushata i kishte trumbetuar me forcë fjalimet e secilit prej tyre, për ta vënë theksin tek pjesëmarrja masive që pritej në Tulsa.

Steve Phillips, themelues i organizatës “Democracy in Color”, fokusuar tek raca dhe politika tha se pjesëmarrja ishte shumë e ulët, duke shtuar se përpjekja e zotit Trump për t’u mbështetur tek nacionalizmi i bardhë dhe frika racore, po dështon.

“Edhe mbështetësit e tij më besnikë nuk duan të hyjnë në një sallë vdekjeje të COVID-19-ës, vetëm për të ushqyer egon e zotit Trump dhe për ta bërë atë të ndjehet më mirë”, tha ai.

Fushata fajësoi protestuesit dhe median për pjesëmarrjen e ulët.

“Për fat të keq, protestuesit ndërhynë tek përkrahësit, duke bllokuar qasjen tek detektorët metalikë, duke mos lënë njerëzit të hyjnë. Protestuesit radikalë dhe sulmet pa pushim të medias, u përpoqën të frikësojnë përkrahësit e presidentit”, tha zëdhënësi i fushatës Tim Murtaugh në një deklaratë para aktivitetit.

“Nuk ka dyshim që COVID-19 luajti rol në pjesëmarrjen e ulët. Por nëse zoti Trump nuk mbush dot një sallë në një shtet ku fitoi me shumicë dërrmuese, të bën të vrasësh mendjen se si mund të dalë në shtetet e pavendosura që janë kthyer kundër tij”, thotë Larry Sabato, drejtor i Qendrës për Politikë në Universitetin e Virxhinias.

Megjithatë turma brohoriti për zotin Trump, që u shfaq energjik dhe i etur për të konsoliduar një përpjekje për rizgjedhje që është frenuar nga pandemia dhe demonstratat në gjithë vendin kundër racizmit.

Frika nga pandemia

Fushata u kontrolloi temperaturën të gjithë atyre që do të hynin në qendrën me kapacitet prej 19 mijë vetësh, para se të kalonin përmes masave të sigurisë. Atyre ju ofruan edhe maska nëse donin. Por shumë prej mijëra mbështetësve të Presidentit Trump nuk mbanin maska ndërsa brohorisnin pranë njëri-tjetrit.

Josie Saltarelli, një ndihmësmjeke 38 vjeçare nga Tulsa tha se nuk ishte e shqetësuar nga koronavirusi.

“Njerëzit vdesin nga shkaqe të tjera gjithë kohës”, tha ajo.

Gjykata e Lartë e Oklajomës të premten hodhi poshtë një kërkesë nga banorët që pjesëmarrësit të ishin të detyruar të mbanin maska për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, duke arritur në përfundimin se banorët nuk kishin një të drejtë të qartë legale për ta kërkuar një gjë të tillë.

Para tubimit, gjashtë anëtarë të stafit të fushatës së Presidentit që po ndihmonin me përgatitjet e tubimit, rezultuan pozitivë për koronavirusin.

Murtaugh zëdhënësi i fushatës tha në një deklaratë se “procedurat e karantinës” u zbatuan menjëherë dhe se asnjë nga punonjësit e fushatës që rezultuan pozitivë nuk do të merrnin pjesë në tubim. Ai tha se as personat që kishin pasur kontakt direkt me ta, nuk do të merrnin pjesë.

Në një konferencë për shyp të mërkurën, kryebashkiaku republikan i qytetit G.T. Bynum, tha se nuk do të merrte pjesë në tubim mes frikës për koronavirusin.

Pjesëmarrësit duhet të nënshkruanin një dokument kur regjistroheshin në internet, ku pranonin se “merrnin përsipër çdo rrezik lidhur me ekspozimin ndaj COVID-19 dhe nuk konsideronin përgjegjës fushatën e Donald J. Trump për President; Qendrën BOK; firmën ASM Global; apo çdo degë, drejtor, zyrtar, punonjës, kontraktor apo vullnetar të tyre për çdo sëmundje apo lëndim”.

Me koronavirus gjashtë anëtarë të stafit zgjedhor të presidentit

Marrë nga Reuters

Fushata e rizgjedhjes së Presidentit Donald Trump thotë se gjashtë anëtarë të stafit të kësaj fushate që po ndihmonin me përgatitjet e tubimit të tij të shtunën në mbrëmje në Tulsa të Oklahomës, rezultuan pozitivë për koronavirusin.

Drejtori i komunikimeve të fushatës, Tim Murtaugh tha në një deklaratë se “procedurat e karantinës” u zbatuan menjëherë dhe se asnjë nga punonjësit e fushatës që rezultuan pozitivë nuk do të marrin pjesë në tubim. Ai tha se as personat që kishin pasur kontakt direkt me ta, nuk do të marrin pjesë.

Zyrtarët e fushatës thanë se të gjithëve atyre që do të shkojnë në tubim, do t’u matet temperatura para se të kalojnë përmes masave të sigurisë. Atyre do t’u jepen edhe maska nëse duan t’i vënë si edhe dizinfektant në qendrën me kapacitet prej 19 mijë vetësh.

Tubimi parashikohej që të ishte grumbullimi më i madh në ambjent të brendshëm në botë, gjatë pandemisë.

Presidenti Trump do ta mbajë tubimin mes shqetësimeve të nxitura nga pandemia e koronavirusit dhe pas disa javë protestash mbi pabarazinë racore, në një përpjekje për të ringjallur fushatën e tij për një mandat të dytë presidencial.

Zoti Trump është kritikuar mbi përgjigjet e administratës së tij ndaj pandemisë si dhe demonstratave të nxitura nga vdekja e George Floyd, një afrikano-amerikani i cili humbi jetën në duart e policisë së Mineapolisit.

Me vendimin e tij për të mbajtur tubimin e parë që pas mbylljes së vendit për shkak të virusit, Presidenti nxiti edhe më shumë kritika. Aktiviteti do të zhvillohet në Tulsa, vendi i një prej shpërthimeve më të përgjakshme të dhunës raciste kundër amerikanëve të zinj rreth 100 vite më parë.

Oklahoma ka raportuar një rritje të infeksioneve me COVID-19 ditët e fundit dhe departamenti i shëndetësisë i këtij shteti ka paralajmëruar pjesëmarrësit në miting mbi një rrezik të shtuar për t’u prekur nga virusi.

Sipas sondazheve Presidenti republikan radhitet pas kandidatit të mundshëm të demokratëve për president, Joe Biden.

Ndërkohë zyrtarë të fushatës së zotit Trump bënë të ditur se mbështetësit duket se janë të kënaqur të shohin zotin Trump t’i rikthehet fushatës dhe se ata që duan të marrin pjesë në miting në Tulsa e kanë tejkaluar numrin e vendeve në dispozicion.

Mike Boatman, 52 vjeç, udhëtoi të hënën prej Indianës në Tulsa për të garantuar një vend në stadium.

“Ka pasur një kërkesë prej mbi një milion biletash për këtë ngjarje, kështu që do të doja të isha herët”, tha ai. “Kjo nuk është asgjë në raport me atë që presidenti ynë bën për ne çdo ditë. Ai sakrifikon për ne, secilin prej nesh ne, pavarësisht se kush jemi, pavarësisht nëse jemi të zinj, të bardhë, apo të verdhë. Nuk ka rëndësi ngjyra për të”, shton zoti Boatman.

Ndarja në linja racore e vendit mbetet një dobësi politike. Reagimi për “ligj e rend” i zotit Trump ndaj protestave të shkaktuara nga vdekja e George Floyd e ka vendosur attë në pozita të vështira me shumicën e amerikanëve. Pas kritikash të ashpra, zoti Trump e shtyu tubimin me një ditë, në mënyrë që të mos përkonte me përvjetorin që shënon fundin e skllavërisë në Shtetet e Bashkuara.

Të premten, ai kërcënoi për veprime të cilat nuk i qartësoi, kundër çdo “protestuesi, anarkisti, provokatori, grabitësit apo keqbërësi” që udhëton drejt Oklahomës, një paralajmërim për të cilën zyrtarët e fushatës së tij thanë se nuk i drejtohej demonstruesve paqësorë.

Kritikët e akuzuan zotin Trump se po përpiqej të provokonte konflikt.

Zyrtarët e fushatës së zotit Trump dhe ata të Shtëpisë së Bardhë i kanë hedhur poshtë shqetësimet mbi sigurinë e mitingut, duke thënë se pjesëmarrësve do t’u vihen në dispozicion maska dhe desinfektues duarsh. Megjithatë pjesëmarrësve u është kërkuar të heqin dorë nga e drejta për të ngritur padi në rast se preken nga koronavirusi gjatë këtij aktiviteti.

Menaxheri i fushatës së zotit Trump, Brad Parscale tha për televizionin “Fox News” të premten se ai me gjasë do të vendosë një maskë gjatë tubimit, ndërsa zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany u tha gazetarëve se nuk do ta bëjë një gjë të tillë. Vetë presidenti Trump e ka shmangur vendosjen e maskës në publik.

Ekspertë e ish-zyrtarë të administratave të mëparshme thonë se zoti Trump duhet të bindë votuesit se politikat e tij do ta nxjerrin vendin nga recesioni i shkaktuar prej pandemisë. zëri i amerikës

SHBA: Gjykatësi hedh poshtë kërkesën për bllokimin e librit të John Boltonit

Një gjykatës federal hodhi poshtë të shtunën kërkesën e Departamentit amerikan të Drejtësisë për të bllokuar hedhjen në treg të librit të ish-Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, John Bolton, por tha se veprimet e tij ngjallnin “shqetësime të mëdha për sigurinë kombëtare”.

Administrata e Presidentit Donald Trump ishte përpjekur të bllokonte publikimin e librit, duke përmendur shqetësimin se mund të ekspozonte informacione sekrete.

Gjykatësi Royce Lamberth në Uashington, tha se ishte tepër vonë për një urdhër të tillë të ishte i suksesshëm.

“Me qindra-mijëra kopje (shpërndarë) në gjithë botën – shumë prej tyre nëpër redaksi – dëmi është bërë”, shprehet ai.

200 mijë kopje të librit “The Room Where it Happened”, “Dhoma ku Ndodhi”, u janë shpërndarë librarive në gjithë vendin.

Në libër, zoti Bolton flet negativisht për vendim-marrjen në politikën e jashtme të Presidentit Trump dhe jep hollësi për Shtëpinë e Bardhë, gjatë periudhës prej një viti e gjysëm, kur ai ishte Këshilltar i Sigurisë Kombëtare.

Çështja e botimit të librit kishte të bënte nga njëra anë me Amendamentin e Parë të Kushtetutës që garanton lirinë e shprehjes dhe nga ana tjetër me shqetësime për sigurinë kombëtare.

Por gjykatësi shprehu gjithashtu shqetësimet se zoti Bolton kishte “vënë në rrezik sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, duke zgjedhur të mos i nënshtrohej një procesi shqyrtimi të dorëshkrimit para botimit, që synon të garantojë që zyrtarë qeveritarë të mos nxjerrin informacione sekrete në librat e tyre me kujtime.

Gjykatësi Lamberth tha se zoti Bolton e kishte marrë përsipër “të botonte librin pa siguruar miratimin përfundimtar të autoriteteve të zbulimit kombëtar” dhe ndoshta i kishte shkaktuar dëm të pariparueshëm sigurisë kombëtare.

Në opinionin e tij prej 10 faqesh, gjykatësi Lamberth la gjithashtu të kuptohej se zoti Bolton mund të humbasë 2 milionë dollarët pagesë që kishte marrë paraprakisht për librin, siç ka kërkuar Departamenti i Drejtësisë dhe mund të ndiqet penalisht. zëri i amerikës

SHBA: Departamenti i Drejtësisë përpiqet të shkarkojë prokurorin që ka hetuar aleatët e presidentit Trump

Marrë nga Associated Press

Në një zhvillim të papritur Departamenti i Drejtësisë u përpoq të largojë nga detyra Geoffrey S. Berman, prokurorin e Manhatanit i cili po mbikqyr çështje të aleaëve kryesore të Presidentit Donald Trump si dhe një hetim ndaj avokatit të tij personal Rudy Giuliani. Por zoti Berman tha se ai nuk pranon të largohet nga detyra dhe se do t’i vazhdojë hetimet.

“Nuk e kam dhënë dorëheqjen dhe nuk kam ndërmend ta jap” tha zoti Berman.

Deklarata e tij erdhi disa orë pasi Prokurori i Përgjithshëm Bill Barr tha se zoti Berman po largohej nga nga pozicioni i tij. Situata krijon një përplasje të pazakontë e cila ka të ngjarë të thellojë edhe më shumë tensionet mes Departamentit të Drejtësisë dhe Demokratëve të Kongresit që e kanë akuzuar drejtpërdrejt zotin Barr për politizimin e agjencisë dhe se ka vepruar më shumë si prokuror personal i zotit Trump sesa si udhëheqës i një strukture të zbatimin të ligjit.

Vendimi për të larguar zotin Berman vjen disa ditë pas akuzash nga ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të zotit Trump, John Bolton se presidenti kërkoi të ndërhynte në një hetim ndaj bankës shtetërore turke në një përpjekje për të mbyllur një marrëveshje me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. Zoti Barr nuk dha asnjë shpjegim për masën në deklaratën që lëshoi të premten vonë. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se do të emëronte në këtë detyrë kryetarin e Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Bursës, me profesion avokat por pa përvojë si prokuror federal.

Disa orë më vonë, zoti Berman lëshoi një deklaratën ku tha se mësoi se po e largonin përmes një njoftimi për shtyp të zotit Barr. Por ai tha se qëndrojë në detyrë derisa kandidati i zotit Trump të konfirmohet nga Senati dhe se do të vazhdojë çështjet hetimore që po trajton, duke sfiduar autoritetin e zotit Barr për ta shkarkuar, pasi ishte emëruar nga gjykatës federalë dhe jo nga presidenti.

Sipas ligjit federal, një prokuror amerikan që është emëruar nga gjykatësit, mund të shërbejë në post “deri kur ai post të plotësohet”.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë tha se departamenti do të vazhdojë të ndjekë planin e vet, dhe do të vendosë përkohësisht në atë post, prokurorin e shtetit të Nju Xhërsit, Craig Carpenito, duke filluar nga 3 korriku. Zyrari nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për këtë çështje dhe foli me agjencinë AP, me kusht që të mos identifikohej.

Demokratët e kanë akuzuar vazhdimisht Departamentin e Drejtësisë nën presidentin Trump për ndërhyrje politike dhe këtë shqetësim e kanë edhe shumë punonjës të agjencisë. Kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jerry Nadler tha se komisioni i tij po e thërriste zotin Berman të dëshmonte javën e ardhshme.

Prokurorët federalë në Nju Jork kanë kryesuar shumë çështje penale dhe hetime të lidhura me presidentin Trump vitet e fundit. Një prej tyre është një hetim që po vazhdon lidhur me marrëdhëniet e biznesit të zotit Giuliani, përfshirë nëse ai nuk u regjistrua si person që punonte për interesa të huaja, sipas njerëzve që kanë dijeni për hetimin dhe që folën me kushtin që të mos identifikoheshin, meqë nuk ishin të autorizuar të diskutonin publikisht për hetimin.

Ata kanë kanë ndjekur penalisht një numër bashkëpunëtorësh të zotit Trump, përfshirë ish-avokatin personal të zotit Trump, Michael Cohen, i cili u dënua me burg sepse kishte gënjyer Kongresin dhe për krime të lidhura me financim fushate.

Prokurori Berman ka mbikqyrur gjithashtu edhe rastet e dy biznesmenëve nga Florida, Lev Parnas and Igor Fruman, që ishin bashkëpunëtorë të zotit Giuliani dhe të lidhur me hetimin për shkarkimin e mundshëm lidhur me Ukrainën. Ata u akuzuan në tetor me shkelje për financim fushate, përfshirë fshehjen e prejardhjes së një dhurimi prej 325 mijë dollarësh për një grup që mbështeste rizgjedhjen e zotit Trump.

Vëmendja u rikthye këtë javë përsëri tek zyra e prokurorisë drejtuar nga zoti Berman, pasi organizata mediash përfshirë Associated Press, morën kopje të librit të ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare John Bolton. Ai shkruan në libër se Presidenti Trump u përpoq të realizonte një marrëveshje për t’i ndaluar prokurorët federalë në Nju Jork të hetonin nëse Halkbank kishte shkelur sanksionet amerikane kundër Iranit, në këmbim të lirimit të një prifti amerikan të burgosur në Turqi.

Gjashtë javë pas lirimit të priftit, zoti Bolton shkruan se në një telefonatë me presidentin turk, zoti “Trump i tha Erdoganit se do t’i rregullonte punët, duke shpjeguar se prokurorët e Qarkut të Jugut (të Nju Jorkut) nuk ishin njerëz të tij, por të Obamës, një problem që do të zgjidhej, kur ata të zëvendësoheshin nga njerëzit e tij”.

Shtëpia e Bardhë po përpiqet të bllokojë daljen në treg të librit të zotit Bolton, duke thënë se po botohet pa autorizimin zyrtar se dorëshkrimi nuk përmbante informacion sekret.

Episodi që përshkruan zoti Bolton, ndodhi disa muaj pasi zoti Berman mori detyrën si prokuror.

Një republikan që kishte kontribuar në fushatën zgjedhore të Presidentit Trump, zoti Berman kishte punuar për të njëjtën firmë ligjore si Giuliani dhe ishte vendosur në post nga administrata e Presidentit Trump. Por si prokuror, ai ua ndryshoi mendjen disa skeptikëve, pasi nuk i kurseu aleatët e zotit Trump dhe është angazhuar drejtpërdrejt në hetime të tjera që kanë zemëruar presidentin.

Zoti Berman u emërua nga ish-Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions në janar 2018, pasi Preet Bharara, në atë kohë prokuror në Nju Jork, u shkarkua. Bharara kishte refuzuar të jepte dorëheqjen, ashtu si edhe dhjetra prokurorë të tjerë federalë të emëruar nga ish- Presidenti Barack Obama.

Disa muaj më pas, agjentë të FBI-së bastisën zyrat e zotit Cohen, një veprim që presidenti e kritikoi si gjueti shtrigash të motivuar politikisht. Zoti Berman e hoqi veten nga çështja e zotit Cohen megjithëse asnjëhere nuk u bë e qartë arsyeja.

Në prill të vitit 2019, në mungesë të një emërimi zyrtar nga ana e zotit Trump, anëtarët e gjykatës federale të Manhatanit votuan për ta caktuar zotin Berman në atë post në bazë të përhershme. Shtëpia e Bardhë asnjëherë nuk shpjegoi se pse zoti Trump nuk e emëroi zyrtarisht zotin Berman.

Megjithatë lidhjet mes Shtëpisë së Bardhë dhe disa prej hetimeve të zotit Berman ishin të qarta. Zyra e tij i bëri kërkesë detyruese komisionit për inaugurimin e Presidentit Trump për një numër të madh dokumentash si pjesë e hetimit lidhur me disa krime të mundshme, përfshirë kontribute të mundshme të paligjshme nga të huaj për ceremonitë e inaugurimit.

Dhe disa javë para zgjedhjeve të Kongresit në vitin 2018, zoti Berman njoftoi për akuza për veprime në bursë bazuar në informacion të brendshëm ndaj një përkrahësi të flaktë të Presidentit Trump, kongresmenit republikan Chris Collins. Collins, që përfaqësonte zonën perëndimore të shtetit të Nju Jorkut, ka dhënë dorëheqjen.

Zyra e zotit Berman ka ngritur akuza edhe kundër Michael Avenattit, avokati që u bë i famshëm duke përfaqësuar aktoren e filmave pornografikë, Stormy Daniels në një akt-padi që implikonte zotin Trump. Avenatti u shpall fajtor në shkurt për përpjekje për t’i bërë shantazh kompanisë Nike, pasi prokurorët thanë se ai kishte kërcënuar të përdorte qasjen e tij në media për të dëmtuar reputacionin e Nike-t dhe vlerën e aksioneve të saj, nëse gjiganti i mallrave sportive nuk e paguante me deri në 25 milionë dollarë.

Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë të premten se zoti Trump po emëron Kryetarin e Komisionit Amerikan të Letrave me Vlerë dhe Bursës Jay Clayton për postin. Para se të merrte në dorë drejtimin e asaj agjencie, Clayton ishte një jurist me shumë lidhje në Wall Street që kishte përfaqësuar dhe këshilluar që numër kompanish të mëdha si Goldman Sachs, Barclays, Deutsche Bank dhe UBS. zëri i amerikës

Vendimet e fundit të Gjykatës së Lartë, humbje për Presidentin Trump

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara mori këtë javë vendime për imigracionin dhe të drejtat e komunitetit LGBTQ që ishin humbje për administratën e Presidentit Donald Trump, pasi kanë të bëjnë me çështje të rëndësishme për përkrahësit e tij. Korrespondentja e Zërit të Amerikës,Patsy Widakuswara njofton lidhur me reagimin e presidentit ndaj këtyre vendimeve dhe se si mund të ndikojnë ato politikisht tek fushata për rizgjedhjen e tij në nëntor.

Aktivistët e emigracionit përshëndetën vendimin Gjykatës së Lartë të 18 qershorit për programin DACA, që mbron nga deportimi emigrantët pa dokumenta, që janë sjellë në Shtetet e Bashkuara, si fëmijë.

Gjykata tha se administrata nuk kishte ndjekur rregullat e duhura për t’i dhënë fund programit, që tani për tani do të mbetet në fuqi.

Po këtë javë, gjykata arriti në përfundimin se ligji federal i ndalon punëdhënësit të diskriminojnë punonjësit bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor.

Presidenti Donald Trump tha se pranonte vendimin.

“E morën vendimin dhe ne e pranojmë. Kështu funksionon. Ne pranojmë vendimin e Gjykatës së Lartë”, tha ai.

Por në Twitter, zoti Trump i quajti vendimet e Gjykatës së Lartë “të tmerrshme dhe të motivuara politikisht”, goditje ndaj konservatorëve.

Sulmet e zotit Trump u drejtoheshin veçanërisht anëtarëve konservatorë të gjykatës, që votuan me liberalët. Pesë nga nëntë anëtarët e Gjykatës janë emëruar nga administrata republikane, përfshirë të tijën.

“Presidenti Trump gjithmonë e ka konsideruar gjyqësorin si ‘ne kundër tyre’, pra do të ketë disa gjyqtare që duhet të jenë pro tij dhe të tjerë kundër tij. Ai nuk e kupton ose respekton ndarjen e pushteteve dhe rolin e pavarësisë së gjyqësorit. Ai thjesht mendon që ka gjyqtare republikanë dhe demokratë”, thotë Adam White, një ekspert konstitucionalist në Institutin “American Enterprise”.

Emërimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë është i përjetshëm. Megjithëse nuk ka vende të paplotësuara aktualisht, presidenti ka folur për nevojën për “gjyqtarë” të rinj dhe ka premtuar se do të nxjerrë disa emra kandidatësh deri më 1 shtator. Kandidati demokrat për president, Joe Biden ka thënë se do të emërojë një afrikano-amerikane në gjykatë.

“Jo vetëm demokratët, por edhe republikanët po thonë se duhet t’i fitojnë zgjedhjet për të kontrolluar ose mbrojtur Gjykatën e Lartë. Është një aspekt negativ i sistemit tonë për të emëruar gjykatësit”, thotë Prof. Peter Strauss i Universitetit Columbia.

Baza e Presidentit Trump është në përgjithësi kundër të drejtave të komunitetit LGBTQ dhe imigracionit.

Por anketat e fundit tregojnë se 72 për qind e amerikanëve mbështet të drejtat civile për qytetarët LGBTQ dhe 74për qind mbështesin një status të përhershëm ligjor për të ashtuquajturit “Ëndërrimtarët”, imigrantë që janë sjellë si fëmijë në Shtetet e Bashkuara pa dokumenta.

“Këta të rinj pa dyshim që gëzojnë mbështetje të madhe. Prandaj ka gjasa të shohim një situate ku baza e tij të mos bëjë presion për t’u marrë me këtë aspekt të imigracionit, krahasuar me të tjerët”, thotë Cristobal Ramon, një analist i politikave të imigracionit në Qendrën për Politika Dypartiake.

Por administrata e Presidentit Trump tha se do të vazhdojë të luftojë kundër DACA-s.

“Ne do të vazhdojmë përpjekjet në mënyrë të përgjegjshme për të ndrequr disa nga defektet dhe mospërputhjet ligjore të dokumentit të administrates së kaluar lidhur me këtë çështje”, tha Kayleigh McEnany, Sekretare Shtypi në Shtëpinë e Bardhë.

Analistët thonë se çdo përpjekje për t’i dhënë fund DACA-s, ka mundësi të përballet me sfida të tjera ligjore dhe nuk ka gjasa që kjo çështje të zgjidhet para zjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Protestuesit në Washington djegin statujën e gjeneralit pro-skllavërisë

Washington

Në kryeqytetin e SHBA-së, Washington, një grup protestuesish kundër racizmit i vunë zjarrin dhe rrëzuan statujën e Albert Pike, gjeneralit pro-skllavërisë të Shteteve të Konfederatës së Amerikës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përderisa ‘ruajnë temperamentin e tyre‘ debatet për racizmin që filluan pasi afroamerikani George Floyd humbi jetën si pasojë e dhunës policore në SHBA, nën shenjestrën e protestuesve janë vënë statujat e Shteteve të Konfederatës së Amerikës të cilat janë formuar në shekullin e 19-të nga shtetet pro-skllavërisë.

Në protestën e zhvilluar në Washington duke iu referuar 19 qershorit të vitit 1865 kur u hoq skllavëria, protestuesit vendosën në objektivin e tyre statujën e gjeneralit Albert Pike, e cila është statuja e vetme që i përket periudhës së Shteteve të Konfederatës së Amerikës.

Protestuesit e lidhën me litar dhe e rrëzuan statujën pas më shumë se një orë përpjekjeje dhe më pas i vunë zjarrin.

Pavarësisht se përballë sheshit “Judicial Maidan” ku ndodhej statuja është edhe një stacion policor thuhet se policia nuk ka ndërhyrë ndaj kësaj situate.

– Trump bën thirrje për arrestime

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump nëpërmjet Twitter-it duke reaguar ndaj këtyre ngjarjeve i bëri thirrje kryetares së bashkisë në Washington, Muriel Bowser që të arrestojë protestuesit.

“Policia e Washingtonit nuk po bën punën e saj teksa shikon djegien dhe shembjen e një statuje. Këto persona duhet të arrestohen. Kjo është turpëruese për vendin tonë”, tha Trump në postimin e tij duke etiketuar Bowser.

Nju Jork, Cuomo mban konferencën e fundit ditore për koronavirusin: kemi arritur të pamundurën

Margaret Besheer

Guvernatori i Shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo mbajti konferencën e fundit ditore për koronavirusin, duke thënë se pas 111 ditësh shteti i tij kishte “bërë të pamundurën” në luftën kundër sëmundjes.

Në fillim, ky virus na goditi shumë“, tha zoti Cuomo në një fjalim të stilit presidencial që ishte ndryshe nga konferencat e tij të zakonshme për shtyp. “Kur filloi kjo, ne patëm më shumë raste për frymë se çdo shtet në vend ose ndonjë komb në botë. Por sot, kemi bërë një kthesë të plotë 180 gradë – nga më e keqja, tek vendi i parë”.

Ai tha se shtrimet në spital të enjten për virusin ishin 1’284 – niveli më i ulët deri tani. Shteti i Nju Jorkut ka një nivel të lartë rekord për testime – gati 80’000 teste në ditë – dhe shkalla e infeksionit është më pak se 1 përqind. Numri i të vdekurve për javën e kaluar ka mbetur nën 32 në ditë – një rënie dramatike nga niveli i afro 800 njerëzve çdo ditë në javën e dytë të Prillit.

Duke zvogëluar shkallën e infeksionit, ne shpëtuam mbi 100,000 njerëz nga shtrimi në spital dhe ndoshta nga vdekja“, tha guvernatori për modelet që kishin parashikuar se çfarë do të ndodhte pa kufizime dhe distancim fizik. “Është një arritje e paimagjinueshme. Jam shumë krenar për atë që bëmë të gjithë së bashku dhe si komunitet“.

Por, shteti me 19.5 milionë banorë pësoi sidoqoftë dëme të mëdha njerëzore dhe financiare. Gati 400’000 banorë kanë rezultuar pozitivë nga testimi për COVID-19 dhe të paktën 25’000 kanë vdekur. Miliona kanë humbur vendet e punës, shumë biznese po vuajnë pasojat dhe disa mund të mos i mbijetojnë mbylljes ekonomike.

Njujorkezët në dyqane gjatë fazës së parë të rihapjes (6 qershor 2020)

Njujorkezët në dyqane gjatë fazës së parë të rihapjes (6 qershor 2020)

Shteti i Nju Jorkut është aktualisht në faza të ndryshme të rihapjes së ekonomisë së tij, bazuar në mënyrën se si virusi ka prekur secilin prej 10 rajoneve të tij. Më shumë pjesë rurale të shtetit, të cilat pësuan shkallë shumë të ulët të infeksionit, filluan rihapjen e tyre katërfazore në 15 maj, por qyteti i Nju Jorkut – i cili kishte shkallën më të lartë të infeksionit – filloi fazën e parë të rihapjes vetëm në 8 qershor dhe do të kalojë në fazën dy të hënën.

Ne rihapëm ekonominë dhe shpëtuam jetë, sepse asnjëherë nuk ishte zgjedhje midis njërës apo tjetrës“, tha zoti Cuomo.

Seancat informuese të mëngjesit nga guvernatori ishin bërë emisione të domosdoshme televizive për rreth 59 milionë njerëz që kërkonin udhëzime dhe ngushëllim gjatë pikut të pandemisë COVID-19. Ata e ndiqnin nëpërmjet jo vetëm rrjeteve televizive kabllore në shtetin e tij, por në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe madje edhe ndërkombëtarisht. Dihet se Presidenti Donald Trump i shikonte seancat informuese – dhe herë pas here shkruante në Twitter për to.

Guvernatori Cuomo përdori platformën e përditshme për të folur në mënyrë të qartë, por edhe urgjente, duke detyruar banorët e Nju Jorkut të marrin seriozisht kërcënimin e virusit dhe të zbatojnë kufizimet e rrepta të qëndrimit në shtëpi dhe pezullimin e bizneseve jo thelbësore.

Ne e ndryshuam atë trajektore“, tha zoti Cuomo në një montazh filmik tre-minutësh ku përshkruhet me vetë zërin e tij, dhe që në vazhdim pasohet nga muzikë sentimentale. “As nuk e dija të ishte e mundur. Ka të bëjë me atë që njerëzit vendosin të bëjnë. Ata e kanë ulur këtë normë infeksioni“.

Nga seancat e përditshme informuese

Nga seancat e përditshme informuese

Guvernatori demokrat përdori gjithashtu seancat informuese për t’ua kthyer goditjet politikanëve republikanë në Uashington, që ai mendon se e trajtuan padrejtësisht Nju Jorkun.Ai përmendi vazhdimisht se nuk ishte një krizë e një “shteti të kuq apo një shteti blu”, por një krizë kombëtare.

Guvernatori Cuomo zbuti gjithashtu zymtësinë e të dhënave të përditshme për shkallën e infeksionit, shtrimet në spital dhe vdekjet, me anekdota humoristike për familjen e tij, si p.sh. marakonat spageti të së dielës dhe drekat me qofte me tre vajzat e tij.

Ai madje ofroi këshilla për prindërit: “Kurrë nuk mund të thuash që nuk të pëlqen i dashuri (i vajzës); e mësova këtë duke e pësuar“. Ai ngacmoi vëllanë e tij të vogël, gazetarin Chris Cuomo, i cili iu bashkua konferencës së tij me video nga bodrumi i shtëpisë së tij, ku ai ishte izoluar nga pjesa tjetër e familjes së tij pasi u infektua me koronavirusin. Dhe guvernatori madje u ankua në mes të fazës së izolimit se qeni i tij, Kapiteni, ishte lodhur duke e parë kaq shumë në shtëpi.

Cuomo, 62 vjeç, është një guvernator i gjeneratës së dytë në New York, aktualisht në mandatin e tij të tretë. Babai i tij, i ndjeri Mario Cuomo, gjithashtu ishte një guvernator për tre mandate., nga 1983-1994. Cuomo është i divorcuar nga Kerry Kennedy, vajza e kandidatit të vrarë për president Robert F. Kennedy. Guvernatori vazhdimisht ka mohuar që ai ka ambicie presidenciale të tijat.

Serwer: Le të presim 27 qershorin dhe të marrin përgjigje pyetjet tona

Profesori amerikan i “John Hopkins University” dhe eksperti për çështjet që ndërlidhen me Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, thotë se do të jetë i lumtur nëse vërtetë në takimin e 27 qershorit në Washington mes Kosovës dhe Serbisë do të diskutoheshin problemet ekonomike mes dy shteteve.

Kështu ka thënë Serwer në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, i pyetur rreth temave që do të diskutohen në Shtëpinë e Bardhë.

“Do të jem i lumtur të shoh që fokusi i takimeve në Washington të jenë çështjet ekonomike, barrierat tregtare jotarifore si dhe gjithashtu marrëveshjet ‘teknike’ të pa implementuara në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Ju duhet t’i pyesni presidentët nëse ata janë duke udhëtuar për një qëllim të tillë. Grenell thotë se po.”, ka thënë Serwer për Express.

Esperti amerikan ndërkohë e sheh si shprehje të vullentit të mirë për ndërtim të mirëbesimit, faktin që Kosova dhe Serbia kanë hequr dorë nga disa qëndrime dhe synime të tyre në prag të udhëtimit në Washington.

Sipas tij, Serbia do të duhej të lobonte për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare në rast se dëshiron të tregojë fqinjësi të mirë.

“Supsendimi i kampanjës së çnjohjeve dhe ajo rreth kërkimit të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare janë veprime për ndërtimin e mirëbesimit me pak pasoja, përderisa është thënë që do të zgjasin deri në takimin (e Washingtonit). Nuk mendoj që zgjatja e tyre do të ishte një ide e mirë. Nëse Serbia dëshiron të demonstroj fqinjësi miqësore, duhet të sponzorizojë Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka shtuar tutje profesori amerikan.

I pyetur rreth takimit të Vuçiqit me Vladimir Putinin në Moskë një ditë para udhëtimit për në Washington dhe rreth asaj nëse zhvillimet paraprake demantojnë deklarimet e Grenellit për një “Takim për Ekonomi” në Shtëpinë e Bardhë, Serwer thotë se për një gjë të tillë duhet pyetur Vuçiq.

Derisa shton se rreshtimi në anën e Moskës kundër Perëndimit nuk është asgjë e re dhe se është një taktikë klasike e Serbisë që megjithatë thotë se e pengon drejt anëtarësimit në BE.

“Ju duhet ta pyesni presidentin Vuçiq. Ai vazhdimisht po e ben të qartë që nuk do të braktisë rehatinë e tij me Putinin në favor të një radhitje krahas Perëndimit.  Loja me Moskën kundër Perëndimit është një sjellje klasike mbrojtëse që do të parandalojë Serbinë nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Sa i përket deklartave të fundit të Grenell se ideja për korrigjim të kujfijve ishte politikë e John Bolton dhe jo e presidentit Trump, Serwer thotë se mbase një qëndrim i tillë tregon që emisari i Trump e ka kuptuar që lëvizja e kufijve dhe ndarja e Kosovës ishte ide e keqe.

Megjithatë thotë se duhet pritur të shihet se çfarë do të ndodh në takimin e 27 qershorit në Washington, meqë sipas tij adminsitrata e Trump nuk shquhet për thënien e të vërtetës.

“Unë mendoj që ndoshta Grenell e ka kuptuar që ndarja ishte një ide e keqe, e që do të ishte mirë nëse është e vërtetë. Por e vërteta nuk është vlerë e kësaj administrate. Do të duhet të presim dhe të shohim se çfarë prodhon takimi në Washington”, ka përfunduar Serwer./Express/

Klobuchar: Vendit i duhet një Nënpresidente afrikano-amerikane

Amy Klobuchar njoftoi se ka hequr dorë nga kandidimi për të qenë Nënpresidente dhe i ka kërkuar kandidatit të mundshëm të demokratëve për garën presidenciale, Joe Biden, të zgjedhë një grua me ngjyrë për këtë post. Senatorja e Minesotës tha të enjten se ajo ia kishte bërë këtë sugjerimin zotit Biden gjatë një bisede telefonike të mërkurën.

Zoti Biden e ka bërë tashmë të ditur se do të zgjedhe një grua për postin e Nënpresidentit.

Mendoj se ky është një moment për të vendosur një grua me ngjyrë në atë pozitë” tha zonja Klobuchar për rrjetin televiziv MSNBC. “Nëse doni ta shëroni kombin, kjo është e mënyra e sigurt për ta bërë këtë“, tha ajo.

Në një postim në twitter të enjten zoti Biden vlerësoi zonjën Klobuchar duke përmendur “kurajon dhe vendosmërinë” e saj. Ai tha se: “me ndihmën tuaj, ne do ta mposhtim Donald Trump”.

Shanset e zonjës Klobuchar për të kandiduar si Nënpresidente në emër të demokratëve u zvogëluan pas vdekjes së George Floyd. Vite më parë ajo ka shërbyer si prokurore në qarkun që përfshin Mineapolisin dhe gjatë asaj periudhe, më shumë se 20 persona, që i përkisnin kryesisht komuniteteve pakicë, humbën jetën në ndërveprime me policinë.

Vdekja muajin e kaluar e zotit Floyd shkaktoi protesta në të gjithë vendin dhe nxiti kritika se zonja Klobuchar në cilësinë e Prokurores së Përgjithshme nuk kishte paditur asnjë prej oficerëve të përfshirë në vdekjet e këtyre qytetarëve. Oficeri i policisë Derek Chauvin, nën akuzë për vrasjen e George Floyd ka qenë i përfshirë në një nga ato raste, kur policia qëlloi me armë zjarri për vdekje në vitin 2006 një person të akuzuar se kishte qëlluar me thikë disa persona të tjerë si dhe se i kishte drejtuar një armë zjarri policisë.

Zonja Klobuchar, 60 vjeç, ishte një nga pretendetet për të siguruar kandadimin në emër të demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Ajo u tërhoq dhe deklaroi mbështetjen e saj për zotin Biden përpara përballjes vendimtare të njohur si “Super Marta” zhvilluar më 3 mars, vendim që erdhi pas vështirës për të siguruar mbështetje nga votuesit e komunitetit afrikano-amerikan të cilët janë vendimtarë për fitoren e demokratëve në zgjedhje. Rezultati i saj më i mirë ishte ai shënuar në Nju Hampshër, që dominohet nga amerikanët e bardhë, ku ajo u rendit e treta.

Senatorja prej tre mandatesh u detyrua të anulojë një nga tubimet përfundimtare të fushatës së saj pasi aktivistët e “Black Lives Matter” dhe jo vetëm, protestuan në Minesota kundër mënyrës se si ajo e ka trajtuar një çështje për vrasje kur ishte prokurore, gjë që çoi në dënimin me burgim të përjetshëm të një adoleshenti afrikano-amerikan.

Ligjvënësi James Clyburn i Karolinës së Jugut, një aleat i ngushtë i zotit Bidenit bëri të ditur disa ditë pas vdekjes së zotit Floyd se ai besonte se zonja Klobuchar do të ishte një zgjedhje më pak e mundshme për Nënpresidente, megjithëse besonte se ajo ishte “absolutisht” e kualifikuar për këtë detyrë, siç tha ai.

Kjo është një periudhë shumë e vështirë për të“, tha zoti Clyburn.

Edhe para vdekjes së zotit Floydit, aktivistët i kanë kërkuar zotit Biden të konsiderojë mundësinë për të zgjedhur një grua me ngjyrë, duke thënë se kjo do të ndihmojë në ndërtimin e një koalicioni të përbërë nga përfaqësues që i takojnë racave të ndryshme si dhe do të motivojë njerëzit, veçanërisht votuesit e rinj. Të tjerët aktivistë i kanë kërkuar zotit Biden të zgjedhë një kandidat progresiv që mund të siguronte mbështetje nga votuesit që mbështesin Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren. Ashtu sikurse zoti Biden, zonja Klobuchar nuk u pajtua me zotin Sanders dhe zonjën Warren gjatë fushatës për çështje madhore të tilla si kujdesi shëndetësor.

Demokratë të cilët janë në dijeni të procesit i thanë “Associated Press” javën e kaluar se lista e personave që po konsiderohen për postin e Nënpresidentes është ngushtuar në gjashtë persona. Mes tyre janë në diskutim Elizabeth Warren, Kamala Harris dhe Susan Rice, kjo e fundit ka shërbyer si këshilltare për Sigurinë Kombëtare e Presidentit Barack Obama. Zonja Warren është një amerikane e bardhë ndërsa si zonja Harris dhe zonja Rice janë afrikano-amerikane. Zoti Biden ka bërë të ditur se do ta njoftojë vendimin e tij për postin e Nënpresidentit më 1 gusht. zëri i amerikës

SHBA shënon 155-vjetorin e dhënies fund të skllavërisë

Shtetet e Bashkuara do të shënojnë të premten 155-vjetorin e dhënies fund të skllavërisë, një festë jozyrtare, të cilës këtë vit i rritet rëndësia, teksa amerikanët përballen me një seri të vrasjeve të afrikano-amerikanëve nga zyrtarët policorë.

Kjo ditë do të shënohet përmes protestave, shërbimeve fetare dhe organizimee kulturore, për të rikujtuar 19 qershorin e vitit 1865 kur një gjeneral sindikate ka shkuar në Teksas për të informuar një grup skllavësh për lirinë e tyre, bazuar në Njoftimin e Emancipimit.

Ky dokument ishte nënshkruar dy vjet më parë nga presidenti i atëhershëm, Abraham Lincoln.

Kjo ditë, që ndryshe njhet si Dita e Emancipimit, ishte shpallur ditë feste në Tekasa më 1980, derisa tani shënohet në 46 shtete tjera, përfshirë Uashingtonin, ndonëse praktikat ndryshojnë.

Shumë shtete kanë anuluar festën këtë ditë, për shkak të pandemisë me koronavirus, mirëpo të tjerat i kanë dhënë vëmendje të veçantë, në kohën kur janë shtuar diskutimet për racizmin.

Kjo ditë shënohet në më pak se një muaj prej vrasjes së afrikano-amerikanit, George Floyd, i cili është vrarë më 25 maj, kur një zyrtar policor i ka bërë presion me gju në qafë dhe ka injoruar thirrjet e Floydit se “nuk mund të marrë frymë”.

Vdekja e tij ka nxitur protesta të mëdha, në të cilat është bërë thirrje për ndryshime rrënjësore në taktikat policore.

Një tjetër ngjarje që ka rritur tensione ka qenë edhe vdekja e afrikano-amerikanit, Rayshard Brooks, nga një zyrtar i bardhë policor, derisa ai ka tentuar t’i ikë arrestimit nga policia. rel

Trumpi sulmon ish-këshilltarin Bolton rreth librit të ri

Presidenti i SHBA Donald Trump ndërmori një sulm të ashpër të enjten kundër ish-këshilltarit të tij të sigurimit kombëtar John Bolton, pas botimit prej zotit Bolton të një libri të ri, ku e quan presidentin një komandant të përgjithshëm “të paparashikueshëm” dhe “të painformuar, aq sa të habit”.

Në një seri komentesh të hidhura në Twitter, Presidenti Trump tha se libri i zotit Bolton është “një përmbledhje gënjeshtrash dhe historish të sajuara.” “Të gjitha janë me qëllimin për të më paraqitur në dritë të keqe. Shumë prej deklaratave qesharake që ai më atribuon nuk janë bërë kurrë, janë trillime të pastra. Thjesht përpiqet të marrë hak për faktin që e shkarkova, si një qenush i neveritshëm që është,” shkruan Presidenti Trump.

Udhëheqësi amerikan e quan zotin Bolton “një budalla të pakënaqur e të mërzitshëm që donte vetëm e vetëm të bënte luftë. Ai kurrë nuk kishte idenë, nuk ia varte njeri dhe u hodh tej, për fat të mirë. Sa i trashë! ”

Presidenti Trump rrallëherë ka pranuar gabime gjatë mandatit të tij, por ai shkroi në Twitter se në vitin 2018, kur Bolton sapo kishte filluar punën në Shtëpinë e Bardhë si dhe vitin pasardhës, ai duhet ta kishte shkarkuar atë menjëherë dhe pa mëdyshje!” Ai tha se zoti Bolton “në mënyrë të trashë” bëri komente në një program televiziv lajmesh lidhur me pikëpamjen e SHBA për të ardhmen e Koresë së Veriut, gjë që komplikoi negociatat e Presidentit me diktatorin e Phenianit, Kim Jong Un, të cilat sapo kishin filluar.

Kërkohet urdhri i gjykatës

Shtëpia e Bardhë po kërkon një urdhër gjykate për të bllokuar botimin e librit prej 577 faqesh me titull “Dhoma ku ndodhi”, i planifikuar të dalë në treg javën e ardhshme. Administrata thotë se libri përmban informacion konfidencial të sigurisë kombëtare që duhet të mbahet sekret edhe pse disa media amerikane morën kopje paraprakisht dhe nisën të raportojnë gjerësisht rreth akuzave të zotit Bolton.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany e quajti vendimin e zotit Bolton për të mos ndryshuar planet e botimit të librit “absolutisht të tmerrshëm” dhe “të neveritshëm”.

Ajo hodhi poshtë si të pavërtetë atë që duket se përbën akuzën më të fortë të zotit Bolton, se në një samit të Grupit të 20-s në qershor 2019, Presidenti Trump kërkoi ndihmën e udhëheqësit kinez Xi Jinping për të fituar një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020.

Rrëfimet Bombastike në Librin e Boltonit

Zoti Bolton, i cili mori një paradhënie prej 2 milionë dollarësh për librin, thotë se Presidenti Trump i kishte kërkuar homologut kinez Xi të blinte më shumë produkte bujqësore amerikane nga rajone në qendër të vendit, për ta ndihmuar presidentin të sigurojë mbështetje në shtetet rurale.

Zoti Bolton tha se Presidenti Trump “në mënyrë shokuese e ktheu bisedën tek zgjedhjet presidenciale, duke aluduar për fuqinë ekonomike të Kinës, për të ndikuar në fushatë, duke iu lutur zotit Xi të garantonte fitoren e tij. Ai theksoi rëndësinë që kanë fermerët dhe rritja e sasisë së sojës dhe grurit që do të blinte Kina, në rezultatin e zgjedhjeve. Do t’i hidhja në letër fjalët ekzakte të zotit Trump, por procesi qeveritar i kontrollit para botimit të librave rezultoi në tjetër vendim”.

Bazuar në rrëfimin e zotit Bolton, pretendenti demokrat në zgjedhjet e nëntorit, ish-nënpresidenti Joe Biden akuzoi presidentin se “ka treguar gatishmëri për të shitur vlerat tona më të vyera demokratike për premtimin bosh të një marrëveshjeje kalimtare tregtie që do ta shpëtonte nga beteja shkatërrimtare e tarifave, e cila ka dëmtuar shumë rëndë fermerët, kompanitë e prodhimit industrial dhe konsumatorët””.

“Nëse këto pretendime janë të vërteta,” tha zoti Biden përmes një deklarate, “nuk kemi të bëjmë thesht me diçka moralisht të dënueshme, por me shkelje nga Donald Trumpi të detyrës së shenjtë kundrejt popullit amerikan për të mbrojtur interesat e Amerikës dhe vlerat tona”.

Bazuar në bisedat e tij me zotin Trump dhe pranisë së tij në diskutime, John Bolton ngre pretendimin se presidenti mendonte se Finlanda ishte pjesë e Rusisë dhe nuk ishte në dieni se Britania zotëron armë bërthamore. Zoti Bolon thotë se Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo i kishte kaluar një copë letër ku e ofendonte me fjalë vulgare presidentin, ndërkohë që po zhvilloheshin bisedimet me udhëheqësin koreano-verior Kim Jong Un në takimin e nivelit të lartë në Singapor.

Zoti Bolton shkruan se Presidenti Trump e kishte zakon “të vinte në pikëpyejte motivet e të tjerëve, shihte komplote pas çdo guri dhe vazhdoi të mbetej i painformuar për mënyrën si veprohet në Shtëpinë e Bardhë, aq më tepër për mënyrën si operon qeveria federale”. John Bolton ngre pretendimin se presidenti gjithmonë udhëhiqej nga “instinkti personal” dhe shihte mundësi për sjellje si në një emision “reality TV”.

Kritika nga demokratët

Përveç reagimit të Presidentit Trump ndaj librit, kritika ka pasur edhe nga ligjvënësi demokrat Adam Schiff, i cili udhëhoqi vjet me sukses përpjekjet për ngritjen e akuzave kundër Presidentit Trump për komunikimet e tij me Ukrainën. Presidenti u lirua nga akuzat në shkurt.

Zoti Schiff komentoi në Twitter se stafi i zotit Bolton ishte thirrur vjet për të dëshmuar për sjelljen e presidentit gjatë procesit për shkarkimin e tij të mundshëm vjet. Ata u paraqitën para ligjvënësve për dëshmi.

“Ata rrezikonin të humbisnin shumë, por treguar kurajo,” tha zoti Schiff. “Kur i kërkuan zotit Bolton të dëshmonte, ai refuzoi dhe tha se do të ngrinte padi në gjyq nëse i dërgohej zyrtarisht thirrje për dëshmi”.

“Në vend të dëshmisë, ai i ka ruajtur rrëfimet për të botuar libër. John Bolton mund të jetë autor, por ai nuk është kurrsesi patriot,” shkruan zoti Schiff. zëri i amerikës

Facebook heq reklamat e zotit Trump: Përmbajnë simbole “urrejtjeje”

Facebook-u ka hequr me dhjetëra reklama zyrtare të presidentit Donald Trump, duke thënë se ato shkelin politikën e saj kundër akteve të organizuara të urrejtjes.

Ne nuk lejojmë simbole që përfaqësojnë organizata që mbështesin urrejtjen apo ideologji të urrejtjes, përveçse në ato raste kur ato janë paraqitur me një kontekst apo dënohen për aktet e tyre“, tha të enjten kreu i Politikës për Sigurinë i Facebook-ut, Nathaniel Gleicher, përpara Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Kjo është ajo që pamë në këtë rast me këtë reklamë dhe kudo që do të përdoret ky simbol, do të ndërmarrim të njëjtat veprime“, shtoi ai.

Më herët gjatë ditës në twitter shpërtheu një polemikë në lidhje me reklamat “Stop Antifës”, krijuar nga përfaqësues të fushatës për rizgjedhje të presidentit amerikan. Një grup që mbron të drejtat e hebrejve liberale ishte ndër ata që vunë re se trekëndëshi i përmbysur në ngjyrë të kuqe që paraqitej në reklamë, ishte një shenjë që dikur përdorej nga nazistët për të përcaktuar të burgosurit politikë në kampe përqendrimi.

Nuk kemi asnjë lidhje me këtë gjë“, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere për “Zërit të Amerikës”, duke ia përcjellë çështjen zyrtarëve të fushatës politike të zotit Trump.

Reklamat në Facebook, të cilat janë parë nga më shumë se një milion përdorues, u shfaqën në llogarinë zyrtare të Presidentit, atë të Nënpresidentit Mike Pence si dhe në llogarinë zyrtare të fushatës së zotit Trump.

Banda të rrezikshme të grupimeve të majta po enden nëpër rrugët tona dhe po shkaktojnë kaos total“, shkruhej në reklamat që shfaqnin një trekëndësh të kuq poshtë tekstit.

Presidenti ka bërë thirrje që Antifa të shpallet si një organizatë e brendshme terroriste dhe ka pohuar se ky grupim është përfshirë në akte të dhunshme gjatë demonstrave të fundit civile në Shtetet e Bashkuara, të cilat u nxitën nga vdekja në Mineapolis e një afrikano-amerikani.

Zyrtarët e fushatës së zotit Trump thanë se përdorimi i simbolit në reklamat e tij kishte për qëllim të tregonte rreziqet e lëvizjes antifashiste dhe nuk ishte një referencë e drejtpërdrejtë për të burgosurit e kampeve naziste të përqendrimit.

Trekëndëshi i kuq i përmbysur është një simbol i përdorur nga Antifa ndaj dhe u përfshi në një reklamë për Antifën. Tërheqim vëmendjen se Facebook-u ka ende në përdorim një imazh të vogël dixhital (emoji) të një trekëndëshi të kuq të përmbysur, i cili duket tamam i njëjtë, ndaj dhe është e çuditshme që ata kanë shënjestruar vetëm këtë reklamë“, u përgjigj drejtori i komunikimit të fushatës së zotit Trump, Tim Murtaugh.

Imazhi gjithashtu nuk është përfshirë në bazën e të dhënave të simboleve të urrejtjes të Ligës Anti-Denigrim. Eshtë ironike që u desh një reklamë e zotit Trump për të detyruar median që të pranojë tërthorazi se Antifa është një grup që nxit urrejtje”, shtoi ai.

Lidhja Anti-Denigrim (ADL), një organizatë 107-vjeçare hebreje e cila lufton diskriminimin dhe paragjykimin, thekson se baza e të dhënave të saj nuk përbëhet nga simbole historike naziste, por përkundrazi rendit simbole që zakonisht përdoren nga ekstremistët modernë dhe supremacistët e bardhë në Shtetet e Bashkuara.

Organizata tha gjithashtu ndërsa disa anëtarë të Antifës e kanë përdorur trekëndëshin e kuq, ai nuk është një simbol i zakonshëm i lidhur me grupin dhe përdorimi i tij është i ngjashëm me përdorimin e trekëndëshit rozë nga disa grupe LGBTQ.

Përdorimi i një simboli të kampeve të përqendrimit nga pasardhësit e kategorive të të persekutuarve, si antifashistët si dhe ata që përfaqësojnë komunitetin LGBTQ, është shumë i ndryshëm nga dikush që përdor një imazh të një kampi nazist përqendrimi për të etiketuar armiqtë e dikujt“, thuhej në një deklaratë të organizatës.

Shefi ekzekutiv i Lidhja Anti-Denigrim Jonathan Greenblatt i tha “Zërit të Amerikës” se pavarësisht nëse zyrtarët e fushatës së zotit Trump ishin në dijeni ose jo të historisë apo kuptimit të simbolit, ta përdorësh atë për të sulmuar kundërshtarët e presidentit “është fyese dhe thellësisht shqetësuese”. “Nuk është e vështirë për dikë që të kritikojë kundërshtarin politik pa përdorur imazhe të epokës naziste. Ne i lutemi zyrtarëve të fushatës së zotit Trump të tregojnë më shumë kujdes dhe të njihen me kontekstin historik përpara se ta bëjnë një gjë të tillë. Padija nuk është një justifikim për përdorimin e simboleve të urrejtjes”.

Zyrtarët e fushatës së zotit Trump theksuan se simboli është në përdorim të gjerë si një imazh dixhital (emoji) në median sociale që paraqitet si ndihmë për të lundruar në internet apo dhe si një lëvizje që trehon rënien e aksioneve.

Reklama të tjera të fushatës së zotit Trump me gjuhë identike por që përmbajnë imazhe të ndryshme, që përfshijnë shenja ndalimi e pikëçuditëse, vazhdonin të shfaqeshin në Facebook pas çaktivizimit të reklamave me trekëndëshin e kuq.

Sipas historianëve, trekëndëshi i kuq i përmbysur u vu për herë të parë në përdorim nga nazistët në vitet 1930 për të identifikuar komunistët. Ai u përdor gjithashtu për të treguar social-demokratët, liberalët dhe anëtarët e tjerë të partive opozitare.

Një trekëndësh i kuq i përmbysur mbi një trekëndësh të verdhë ishte një simbol që të burgosurit politikë hebrenj u detyruan të vendosnin prej nazistëve.

Një me kartëmonedhë 100 dollarëshe me yllin e Davidit me gjashtë cepa në të ku ishte vizatuar kandidatja presidenciale e Partisë Demokratike Hillary Clinton u postua në twitter dhe u fshi nga zoti Trump gjatë fushatës së vitit 2016 ndaj ish-sekretares së Shtetit. Kandidati republikan Donald Trump deklaroi aso kohe se shenja nuk ishte antisemitike sepse ylli përfaqësonte simbolin e një sherifi policie. zëri i amerikës

SHBA, shefi i ri i USAGM Michael Pack shkarkon drejtuesit e rrjeteve

Ndërtesa e Zërit të Amerikës

 

Shefi i ri ekzekutiv i agjencisë që mbikëqyr Zërin e Amerikës ka shkarkuar drejtuesit e organizatave të tjera të agjencisë, përfshirë shefat e Rrjeteve të Transmetimit në Lindjen e Mesme, Radios Azia e Lirë dhe Radio Evropa e Lirë / Radio Liria. Drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett dhe zëvendësja e saj, Sandy Sugawara, dhanë dorëheqjen të hënën.

Shefi ekzekutiv i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale USAGM, Michael Pack i bëri shkarkimet përmes njoftimeve me këta drejtues në orët e vona të së mërkurës.

Agjencia e lajmeve Associated Press njofton se zoti Pack nuk dha arsye specifike për secilin largim nga puna, duke thënë vetëm se ai po vepron në përputhje me autoritetin e tij si shefi ekzekutiv i agjencisë.

Senatori Bob Menendez, demokrati i lartë në Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, kritikoi veprimet e zotit Pack, duke thënë se këto akte konfirmojnë se “ai është në një mision politik për të shkatërruar pavarësinë e agjencisë USAGM dhe për të minuar rolin e saj historik”.

“Shkarkimi në grup i krerëve të rrjeteve të Agjencisë dhe shpërndarja e bordeve drejtuese për të vënë në vend të tyre aleatë politikë të Presidentit Trump, është një shkelje e hapur e historikut dhe misionit të kësaj organizate, çka mund të jetë e pariparueshme. Ky sulm është fatkeqësisht rasti më i freskët, por jo i fundit, në përpjekjet e administratës Trump për të shndërruar institucionet amerikane të rrënjosura në parimet e demokracisë në vegla për axhendën personale të Presidentit,” tha Senatori Menendez në një deklaratë të mërkurën vonë.

Michael Pack gjatë seancës për konfirmimin e tij si shef ekzekutiv i agjencisë USAGM më 19 shtator 2019.

Alberto Fernandez, i cili drejtonte Rrjetet e Transmetimit në Lindjen e Mesme, tha se ishte krenar për punën që bënë këto rrjetet gjatë mandatit të tij tre-vjeçar dhe i nderuar që kishte punuar me gazetarë të talentuar në Shtetet e Bashkuara, Dubai, Bejrut dhe vende të tjera. Ai gjithashtu nënvizoi sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen agjencitë përbërëse të USAGM për mbulimin e lajmeve për shikuesit, dëgjuesit dhe lexuesit në të gjithë botën.

“U përcjell urimet e mia atyre që do të fillojnë punë në USAGM,” komentoi përmes Twitterit zoti Fernandez të mërkurën vonë. “Shpresoj se e kanë të qartë se çfarë po bëjnë. Ata kanë një shans të menjëhershëm për të bërë ndryshime. Dje qeveria irakene mbylli transmetuesit e Radio Sawa-s në Bagdad, Basra dhe Karbala dhe kërcënoi se do të sekuestronte objekte që janë pronë e qeverisë amerikane.”

Më herët të mërkurën zoti Pack komunikoi për herë të parë me punonjësit e Zërit të Amerikës që pas konfirmimit nga Senati javën e kaluar, duke u zotuar në një email për të respektuar rolin e tij të mandatuar për të ofruar gazetari të pavarur në të gjithë botën, edhe pse USAGM është një agjenci e financuar nga qeveria amerikane.

Pack shkruante se ai është “plotësisht i përkushtuar për të respektuar statutin e Zërit të Amerikës … dhe pavarësinë e gazetarëve tanë heroikë në të gjithë botën”.

Michael Pack u emërua nga Presidenti Donald Trump më shumë se dy vjet më parë për të drejtuar USAGM. Por emërimi i tij hasi në rezistencë të fortë nga demokratët. Senati i kontrolluar nga republikanët votoi vetëm dy javë më parë për të miratuar një mandat tre vjeçar për zotin Pack për të kryesuar USAGM.

Javët e fundit, zoti Trump ka kritikuar Zërin e Amerikës për mbulimin e lajmeve lidhur me reagimin e Kinës gjatë krizës së koronavirusit. Kur u pyet për emërimin e zotit Pack më 15 maj, Presidenti Trump tha: “Zëri i Amerikës po menaxhohet në mënyrë të tmerrshme. Ata nuk janë Zëri i Amerikës. Janë e kundërta e Zërit të Amerikës”.

Zoti Pack nuk përmendi Presidentin Trump apo polemikat e fundit në emailin e tij për stafin. Po ashtu ai nuk tha se kë planifikon të emërojë si drejtor të Zërit të Amerikës.

Ish-drejtoresha e VOA, Amanda Bennett ka folur me vendosmëri në mbrojtje të gazetarisë së pavarur në Zërin e Amerikës, duke kundërshtuar kritikat e fundit të Presidentit Trump dhe duke mbrojtur misionin dhe raportimin e agjencisë së lajmeve, që financohet me fonde federale.

“Ne eksportojmë Amendamentin e Parë për njerëzit në mbarë botën që nuk kanë qasje tjetër në informacione të bazuara tek faktet, të vërteta, të besueshme,” tha zonja Bennett. Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane garanton lirinë e fjalës.

“Për këtë arsye më shumë se 80 për qind e audiencës sonë prej 280 milionë vetësh në 47 gjuhë në më shumë se 60 vende thonë se ata e konsiderojnë punën tonë si të besueshme,” tha zonja Bennett.

Disa organizata për lirinë e shtypit kanë shprehur shqetësim për zotin Pack në rolin e shefit ekzekutiv të USAGM, duke përmendur punën e tij si regjisor konservator dhe bashkëpunëtor i ish-këshilltarit të Presidentit Trump, Stephen Bannon dhe duke parashikuar se ai mund të mos i bëjë qëndresë presionit të Shtëpisë së Bardhë për mbulimin e lajmeve në mënyrë të favorshme për presidentin.

Gazeta New York Times shkruante në një artikull redaksional të marten se “Mundësia e shndërrimit të Zërit të Amerikës në një vegël propagandistike të Shtëpisë së Bardhë duhet të jetë e frikshme për të gjithë amerikanët, pavarësisht nga prirjet politike. Artikulli përfundonte me fjalët “Zoti Trump dëshiron të ketë një altoparlant, jo një mjet diplomatik dhe ai kërkon me ngulm besnikëri”.

Kur zoti Pack mori detyrën e shefit ekzekutiv, anëtarët e Bordit të Guvernatorëve të Transmetimit, që më parë kontrollonte Zërin e Amerikës dhe rrjetet e tjera si-motra – publikuan përkufizimin e tyre të gazetarisë së pavarur në Regjistrin Federal të akteve të qeverisë.

“Secili nga rrjetet e financuara nga USAGM gëzon pavarësi të plotë redaksionale, në formën që ky term përcaktohet dhe kuptohet nga praktikat më të mira të gazetarisë,” thuhet në deklaratë.

“Pavarësia redaksionale përfshin, por nuk kufizohet vetëm në faktin që vetëm individë brenda rrjetit mund të marrin vendime në lidhje me ndjekjen ose raportimin e lajmeve,” thanë anëtarët e bordit. “Rrjetet e përfshira në Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Median Globale, USAGM dhe punonjësit e tyre, duke përfshirë drejtuesit e secilit rrjet, janë plotësisht të mbrojtur nga çdo presion politik ose presion tjetër i jashtëm ose nga procese që do të ishin në kundërshtim me standardet më të larta të gazetarisë profesionale”.

Michael Pack, në mes të të 60-tave, ka mbajtur më parë poste të ndryshme drejtuese në agjenci qeveritare apo publike amerikane. Por vitet e fundit, siç shkruan ai në emailin drejtuar punonjësve të USAGM, ai ka drejtuar një kompani private, Manifold Productions, që ka realizuar 15 dokumentarë që janë transmetuar në SHBA përmes Shërbimit të Transmetimeve Publike.

“Këto filma ishin gjithashtu mënyra ime për të treguar historinë e Amerikës,” shkruante ai. “Megjithëse realizimi i dokumentarëve është proces shumë interesant, unë mezi prisja të kthehesha në transmetimet ndërkombëtare në këtë pikë kritike në historinë tonë”.

Ai shkruante më tej: “kundërshtarët e Amerikës kanë intensifikuar përpjekjet e tyre të propagandës dhe dezinformimit. Ata po promovojnë në mënyrë agresive vizionet e tyre shumë të ndryshme për botën”.

Zoti Pack shkruante se ai do të kërkojë të rrisë moralin ndër punonjësit në USAGM dhe “do të shqyrtojë disa nga problemet që janë shfaqur në media vitet e fundit”.

“Më e rendësishmja: misioni im do të jetë ta bëj agjencinë më efektive,” shkruan shefi i ri ekzekutiv i USAGM, Michael Pack.

Bolton: Presidenti Trump i kërkoi Kinës ndihmë për rizgjedhje

Donald Trump i kërkoi Presidentit kinez Shi Gjinping ndihmë që të rizgjidhet president në 2020, shkruan në librin e tij të ri John Bolton, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare në administratën Trump, sipas disa pasazheve të librit të publikuara të mërkurën.

Gjatë takimit me zotin Shi në qershor të vitit të kaluar, presidenti “në mënyrë shokuese ndërroi bisedën duke u përqëndruar tek zgjedhjet presidenciale amerikane, duke aluduar mbi mundësinë që kapacitetet ekonomike të Kinës të ndikonin në fushatë dhe duke iu lutur zotit Shi të garantonte fitoren e tij,” shkruan ish-këshilltari i afërt i presidentit në librin e tij të ri që premton të jetë një botim bombastik, sipas personave që e kanë lexuar.

Në pasazhe të botuara nga The Washington Post, The New York Times dhe The Wall Street Journal, zoti Bolton shkruan se Presidenti Trump theksoi rëndësinë e fermerëve amerikanë dhe si do të ndikonte tek rezultati i zgjedhjeve amerikane “shtimi i sasisë së sojës dhe grurit amerikan” që do të blinte Kina. zëri i amerikës

SHBA, protestuesit shkatërrojnë statujën e ushtrisë së Konfederatës

Richmond

Protestuesit në qytetin Richmond të SHBA-së kanë shkatërruar statujën që përshkruan ushtrinë e Konfederatës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mediat amerikane njoftuan se statuja Howitzers që përshkruan ushtarin e artilerisë së ushtrisë së Konfederatës që ndodhet në kampusin Monroe Park të Universitetit “Virginia Commonwealth University” u nda nga baza e saj pasi protestuesit mbrëmë e lidhën me litar.

Kjo është statuja katërt që shembet nga protestuesit në Virginia gjatë protestave që filluan pasi afroamerikani George Floyd humbi jetën nga dhuna policore. Ndërkohë edhe tre statujat e tjera të shembura i përkasin simboleve të ushtrisë së Konfederatës.

Vrasja e Floyd

George Floyd, afro-amerikani 46-vjeç u arrestua nga policia më 25 maj në Minneapolis nën dyshimin për mashtrim. Ai humbi jetën pasi një polic i vendosi për disa minuta gjurin mbi qafën e tij. Vdekja e Floyd ndezi sërish debatin mbi racizmin dhe dhunën policore në vend kundër personave me ngjyrë.

Në protestat që filluan me kërkesën për “reforma në polici” dhe për t‘i “dhënë fund racizmit” ndodhën ngjarje të dhunshme dhe të plaçkitjeve në shumë qytete të mëdha, përfshirë kryeqytetin Washington ndërkohë që nëpër qytete u mobilizuan forcat e Gardës Kombëtare.

Në shumë agjenci lokale policore të qyteteve përfshirë New Yorkun dhe Minneapolisin u ndërmorën hapa për reforma, ndërkohë që edhe presidenti Donald Trump nënshkroi një dekret lidhur me agjencitë policore në përmasa federale.

Më shumë amerikanë të vdekur nga koronavirusi, sesa në Luftën e Parë Botërore

Numri i personave të vdekur me koronavirus në Shtetet e Bashkuara ka tejkaluar numrin e ushtarëve amerikanë të vdekur gjatë Luftës së Parë Botërore, ndërkohë që shumë shtete në territorin e SHBA-së regjistrojnë rritje të infektimit.

Numri i viktimave, si pasojë e këtij virusi në SHBA, ka shkuar në mbi 116,900, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Kjo shifër është më e madhe sesa e amerikanëve të vdekur gjatë Luftës së Parë Botërore, 116, 516 – më shumë se gjysma e tyre nga Gripi Spanjoll.

Megjithatë, shumë biznese në gjithë SHBA-në po vazhdojnë të rihapen, pavarësisht pse rreth 23,000 raste të reja të infektimit raportohen në baza ditore.

Rreth 20 shtete kanë raportuar rritje të numrit të të prekurve në dy javët e fundit, përfshirë, Floridan, Teksasin dhe Arizonan.

Shtimi i rasteve të reja, pjesërisht mund t’i kontribuohet rritjes së numrit të testimeve, por ekspertët shëndetësorë thonë se rritja e shkallës së përhapjes së virusit ka të bëjë edhe me rihapje të ekonomisë.

Presidenti amerikan, Donald Trump vazhdon të jetë i fokusuar në rihapje të ekonomisë dhe insiston se nuk do të ketë mbyllje, edhe pse numri i të prekurve me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, ka kaluar në mbi 2.1 milionë.

SHBA-ja, Meksika dhe Kanadaja janë pajtuar për mbajtje të kujfive të mbyllur deri më 21 korrik, duke vazhduar masat e kufizimit në udhëtim.

Për dallim nga këto vende, shumë shtete në Evropë kanë rihapur kufijtë për udhëtarët brenda vendeve të Bashkimit Evropian, pas tre muajve të masave kufizuese.

Evropa fillimisht ka qenë kontinenti i prekur më së keqi nga koronavirusi, mirëpo tani numri i rasteve të reja, i të hospitalizuarve dhe të vdekurve ka rënë në mënyrë dramatike, ndonëse ekonomia është rihapur. rel

Administrata e Trumpit synon shtyrjen e publikimit të librit të Boltonit

Ish-Këshilltari për Siguri Kombëtare, John Bolton.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka dorëzuar një padi penale, duke kërkuar që ta parandalojë publikimin e libirit të ri të ish-Këshilltarit për Siguri Kombëtare, John Bolton, në të cilin tregon kohën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë.

Në padi është thënë se disa pjesë të librit përmbajnë informacion të klasifikuar, i cili do të mund të shkaktonte “dëm të pariparueshëm” në sigurinë kombëtare të SHBA-së.

Ky dokument është dorëzuar një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Bolton do ta shkelë ligjin në rast se publikon librin.

Libri i Boltonit, “Dhoma ku ka ndodhur: Kujtime nga Shtëpia e Bardhë”, pritet të publikohet më 23 qershor.

Në padi është thënë se Bolton ka dështuar që ta dorëzojë librin për rishikim para publikimit, duke shkelur kështu marrëveshjet kur ka nënshkruar kontratën e punësimit dhe qasjes në informacion shumë të klasifikuar.

Grupi për të drejtat e njeriut, Unioni Amerikan për Liri Civile, ka thënë se përpjekjet për të penguar librin e Boltonit “do të dështojnë”.

Trump pati shkarkuar Boltonin, nga pozita që kishte në shtator të vitit të kaluar, pavarësisht pse për 17 muaj i ka dhënë qasje të pashembullt në planet ditore të Shtëpisë së Bardhë.

Shtëpia botuese, Simon and Schuster, e ka përshkruar përmbajtjen si “libër që Donald Trump nuk dëshiron që ju ta lexoni”.

Sipas skriptës së publikuar nga shtëpia botuese, Bolton e përshkruan administratën Trump si kaotike. rel

O’Brien: Mezi presim diskutimet Kosovë – Serbi në Shtëpinë e Bardhë

Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien tha të martën mbrëma se Shtetet e Bashkuara mezi po presin për takimin e paralajmëruar për 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një postim në rrjetin twitter zoti O’Brien shkroi se është i kënaqur “të presë udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës me Richard Grenellin në Shtëpinë e Bardhë. Shtetet e Bashkuara janë duke pritur me padurim këto diskutime të rëndësishme”, shkroi ai.

Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, tha se palët do të takohen më 27 qershor në Uashington pasi kishte marrë “premtimin nga qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë për të ndërprerë përkohësisht fushatën e tërheqjes së njohjeve dhe të kërkesave për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”.

Ai paralajmëroi se “nëse ndonjëra palë mbetet e pakënaqur me diskutimet e 27 qershorit, atëherë ato do të kthehen në ‘status quo’ pasi të largohen nga Uashingtoni. Siç kemi thënë vazhdimisht, së pari duhet të përparojmë në zhvillimin e ekonomive. Ky është përqendrimi. I pres me padurim këto diskutime”, shkroi ai të hënën.

Zyrtarët më të lartë në Prishtinë dhe në Beograd thanë se do të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë por pritjet e tyre janë të ndryshme. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha se ky proces, “dhe kjo është thënë qartë në letrat që i ka dërguar vetë presidenti Trump, është për njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se “njohja e Kosovës nuk do të jetë temë diskutimesh në Washington”.

Ftesa për takimin në Shtëpinë e Bardhë u bë në ditën kur Bashkimi Evropian nisi për në rajon të dërguarin e tij të Posaçëm Miroslav Lajcak që të provojë rifillimin e bisedimeve të pezulluara ndërmjet të dyja vendeve.

Bisedimet u pezulluan në vjeshtën e vitit 2018 pasi që Kosova u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe si shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së saj.

Në muajin prill të këtij viti qeveria e ish kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i hoqi tarifat por i zëvendësoi ato me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Kryeministri i ri Avdullah Hoti, i hoqi edhe këto masa duke hapur rrugën për rifillimin e bisedimeve. zëri i amerikës

Babai dhe vajza aktiviste që u arrestuan së bashku

Nga Carolyn Pressuti

E diela, 21 qershor, është Dita e Babait në Shtetet e Bashkuara. Marrëdhënia midis babait dhe vajzës evoluon ndërsa vajzat e vogla rriten për tu bërë gra. Ndonjëherë kjo shndërrohet në punë në ekip siç është historia e një babai dhe një vajze që u arrestuan së bashku.

Për Julia dhe Malcolm Young, të drejtat e njeriut janë një pasion i përbashkët.

Kështu që kur babai dhe vajza dëgjuan për një marshim për afrikano-amerikanët që vdiqën të arrrestuar nga policia, ata e dinin se duhet të ndodheshin aty… Edhe gjatë një pandemie.

Ai dhe nëna ime më rritën që të shqetësohesha vërtet për njerëzit e tjerë, dhe pabarazinë dhe padrejtësitë në botë“, thotë vajza, Julia Young.

Babai dhe vajza kanë një etje për drejtësi sociale, të ndjekur në profesione të ndryshme. Malcolm është një avokat që promovon të drejtat e të burgosurve. Julia jep mësim historinë në kolegj dhe ka shkruar një libër mbi emigracionin.

Në korrik të vitit të kaluar, ata morën pjesë në një protestë për fëmijët emigrantë jashtë Kapitolit të Shteteve të Bashkuara. Julia i dërgoi email babait të saj për një aksion të planifikuar të mosbindjes civile.

Kështu që ia përcolla babait tim dhe i thashë: – A dëshiron të arrestohemi së bashku?“, tregon Julia.

Dhe unë i thashë, Julia, një familje që arrestohet së bashku, qëndron së bashku“, thotë Malcolm.

Dhe vërtet u arrestuan. Në kaosin që pasoi, lidhja mes babait dhe vajzës u forcua.

Ishte një pozicion shumë delikat“, thotë Julia.

Krahët janë pas shpinës“, tregon Malcolm.

Pata një reagim emocional kur pashë babanë tim në pranga“, thotë Julia.

Po na veçonin dhe kërkova të shoh nëse ishte mirë. Dhe pashë që po më shikonte duke më përshpëritur: ‘A je mirë?’ Çfarë mund të jetë më e mirë për një baba sesa të ndjejë shqetësimin e fëmijëve të tij për të?“, thotë Malcolm.

U shndërrua në një moment solidariteti të qëndroja me të gjithë këta njerëz dhe me babanë tim“, thotë Julia.

Disa muaj më vonë, dueti udhëtoi për në Dilly, Texas, për të intervistuar gratë hispanike që po kërkonin azil në Shtetet e Bashkuara.

Në një moment, Julia ndjeu se po u kërkoja shumë [[duke i pyetur azilkërkuesit shumë intensivisht]]. Dhe ajo u kthye nga mua dhe më tha: ‘Babi, ajo po ndihet vërtet jokomode. Kjo nuk është mirë”, thotë Malcolm.

Dhe ndërsa java vazhdoi, unë kuptova se ai është me të vërtetë i aftë të nxjerrë një histori nga njerëz që mund të jenë pothuajse shumë të traumatizuar për të rrëfyer ndodhitë e tyre“, thotë Julia.

Malcolm, i cili filloi të protestojë gjatë Luftës së Vietnamit, thotë se e ardhmja duket e ndritshme ndërsa Amerika përballet me padrejtësinë racore.

Ndërsa shikon Julia-n dhe të rinjtë e tjerë tani në rrugë në mënyrë paqësore, por duke bërë presion për të avancuar këto kauza, ka shpresë se do të ketë sukses. Nëse nuk erdhi sot apo dje, do të vijë nesër“, thotë Malcolm.

Dhe kjo është një arsye më se e mjaftueshme që ky ekip aktivist të festojë në Ditën e Babait./VOA

Gjykata e Lartë e SHBA: Ligji ndalon diskriminimin ndaj punonjësve LGBTQ

Gjykata e Lartë e SHBA deklaroi të hënën se ligjet federale të punësimit ndalojnë diskriminimin ndaj punonjësve LGBTQ, vendim që shënon një fitore të madhe për pakicat seksuale në Amerikë.

Me një rezultat 6-3, gjykata deklaroi se një “punëdhënës që pushon një individ thjesht se është homoseksual ose transgjinor” shkel Nenin VII të Ligjit për të Drejtat Civile të vitit 1964.

Kryetari konservator i Gjykatës së Lartë John Roberts dhe anëtari po konservator Neil Gorsuch, i cili u emërua në këtë post nga Presidenti Donald Trump, iu bashkuan opinionit të shumicës.

Ligji për të drejtat civile thotë se punëdhënësit nuk mund të diskriminojnë “për shkak të seksit”.

Në vitin 2015, Komisioni për Mundësi të Barabarta Punësimi, nën administratën Obama, vendosi që ndalimi të përfshinte edhe diskriminim ndaj personave LGBTQ.

Megjithatë, administrata e Presidentit Donald Trump anoi nga punëdhënësit që u paditën për diskriminim në tre raste, të cilat çuan në vendimin e së hënës. zëri i amerikës

Dorëhiqen dy drejtueset kryesore të Zërit të Amerikës

Drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett dhe zëvendësja e saj kryesore, Sandra Sugawara, dhanë dorëheqjen të hënën, duke thënë se Michael Pack, shefi ekzekutiv i sapo miratuar i Agjensisë Amerikane për Median Globale (USAGM), që mbikqyr edhe Zërin e Amerikës, gëzon të drejtën t’i zëvendësojë ato me ekipin e zgjedhur prej tij.

Bennett dhe Sugawara, të dyja gazetare me përvojë të gjatë, drejtojnë Zërin e Amerikës që nga viti 2016, duke e zgjeruar ndjeshëm mbulimin me lajme dhe kronika. Zëri i Amerikës është agjensi e pavarur lajmesh e qeverisë amerikane që prodhon programe televizive dhe radioje në 47 gjuhë si dhe në faqen e internetit voanews.com.

Në letrën e tyre të dorëheqjes drejtuar qindra punonjësve, redaktorëve dhe stafit teknik të Zërit të Amerikës, Bennett dhe Sugawara thanë se ato kishin sjellë ndryshime për mirë gjatë katër viteve të fundit.

Ato flasin në letër mbi përpjekjen “pasionante dhe të fuqishme” të kësaj agjencie për t’i treguar audiencës se ç’është Amerika, përmendin “përqëndrimin te puna për të hedhur poshtë të pavërtetat dhe dezinformimin kudo në botë; vëmendjen e treguar për historitë e grave, të refugjatëve dhe të kolegëve gazetarë në të gjithë botën.”

Bennett dhe Sugawara i thanë stafit të Zërit të Amerikës se “asgjë që lidhet me ju, me pasionin tuaj, me misionin apo integritetin tuaj nuk ndryshon” me ardhjen e zotit Pack në krye të Zërit të Amerikës dhe organizatave të tjera mediatike të qeverisë amerikane.

“Michael Pack u betua para Kongresit për të respektuar murin mbrojtës që garanton pavarësinë e Zërit të Amerikës dhe që luan rolin më të rëndësishëm tek besimi i jashtëzakonshëm që ka tek ne audienca në të gjithë botën,” thuhet në letër.

Por ardhja e zotit Michael Pack në krye të USAGM me një kontratë tre vjeçare të miratuar nga Senati ka qenë një proces i vështirë.

Michael Pack

Michael Pack

Presidenti Donald Trump e emëroi zotin Pack, bashkëpunëtor i njërit prej përkrahësve më të flaktë ideologjikë të tij, ish-kryestrategut të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Bannon, më shumë se dy vjet më parë. Por miratimi u bllokua nga demokratët e Senatit deri vonë, pjesërisht për shkak të shqetësimeve të tyre në lidhje me aludimet për përfitime të paligjshme financiare në bizneset e tij.

Javët e fundit, Presidenti Trump e ka kritikuar Zërin e Amerikës për mënyrën e mbulimit të lajmeve për Kinën gjatë krizës së koronavirusit. Më 15 maj, i pyetur për emërimin e zotit Pack, Presidenti Trump tha: “Zëri i Amerikës menaxhohet në një mënyrë të tmerrshme. Ata nuk janë Zëri i Amerikës. Ata janë e kundërta e Zërit të Amerikës.”

Në atë kohë, zonja Bennett komentoi në mbrojtje të misionit dhe raportimeve të kësaj agjencie lajmesh, që financohet nga SHBA.

“Ne eksportojmë Amendamentin e Parë për njerëzit në mbarë botën që nuk kanë qasje tjetër në informacione faktike, të vërteta dhe të besueshme,” tha zonja Bennett.

“Kjo është arsyeja pse më shumë se 80% e 280 milion njerëzve që na ndjekin në 47 gjuhë dhe në mëse 60 vende, thonë se kanë besim te puna jonë,” u shpreh ajo.

Grenell: Takimi Kosovë – Serbi më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë

I emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, njoftoi se qeveritë e këtyre dy vendeve janë pajtuar që të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, pasi palët janë pajtuar që t’i heqin pengesat për dialog.

Përmes një postimi në Twitter, Grenell tha se Serbia u pajtua që të pezullojë përkohësisht fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe Kosova u pajtua të pezullojë përpjekjet për t’u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë.

“Lajm i mirë. Sapo pranova angazhimin e qeverive të Kosovës dhe Serbisë për të pezulluar përkohësisht fushatën e çnjohjeve dhe anëtarësimet në mekanizmat ndërkombëtarë, me qëllim që të takohemi në Uashington DC, në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, për të biseduar për dialogun.Nëse njëra palë nuk është e kënaqur me bisedimet e 27 qershorit, ato mund të kthehen sërish në status quo, pasi të largohen nga Uashingtoni. Siç kemi thënë vazhdimisht, ne së pari duhet të bëjnë përparim në rritjen e ekonomive. Ky është fokusi. Mirëpres këto diskutime”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Radio Evropa e Lirë merr vesh se në takimin në Shtëpinë e Bardhë, Kosova do të përfaqësohet nga presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Avdullah Hoti. Ndërkaq, nga Qeveria e Serbisë thanë për REL që përbërja e delegacionit serb ende nuk është precizuar.Presidenti Thaçi ka mirëpritur iniciativën e SHBA-së për rikthimin e dialogut.

“Udhëheqësia dhe mbështetja e SHBA-së ka qenë gjithmonë vendimtare për të ardhmen prosperuese të Kosovës. Prandaj, mirëpres iniciativën për rikthimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, nën udhëheqësin Richard Grenell, të dërguarit të presidentit, Donald Trump”, tha Thaçi në një postim në Twitter.

Më herët, burime diplomatike në Bruksel u kanë thënë gazetarëve se Serbia ka pranuar ta pezullojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës “për t’i kontribuar atmosferës për rinisjen e dialogut për normalizim marrëdhëniesh” midis Prishtinës dhe Beogradit, gjë që e kishte kundërshtuar ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

Lajmi për takimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Uashington, vjen në ditën kur i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak ishte paraparë që të vizitonte Prishtinën.

Megjithatë, siç merr vesh REL, Lajçakut i është anuluar fluturimi nga Cyrihu për në Tiranë, prej nga ku do të nisej drejt Prishtinës.

Në fillim të muajit qershor, Qeveria e re e Kosovës shfuqizoi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe tha se pret që Serbia të ndalë fushatën e çnjohjeve, me qëllim që t’i jepet mundësi dialogut.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. SHBA-ja emëroi Grenellin si të dërguarin e saj për këtë dialog, tetorin e vitit të kaluar, me qëllim që të ndihmojë palët të arrijnë një marrëveshje paqeje.

Ndërkaq, afro tre muaj më herët, BE-ja ka emëruar Mirosllav Lajçakun në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u ndërpre në fund të vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës vendosi një taksë prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë. Më pas kjo taksë u hoq dhe u vendos masa e reciprocitetit, por Serbia tha se nuk do të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa heqjen e të gjitha pengesave.

Gjeneral Milley: Gabim që shoqërova presidentin pas shpërndarjes së protestave

Gjeneral Mark Milley, ushtaraku më i lartë i vendit, tha të enjten se veproi gabim kur shoqëroi Presidentin Trump më këmbë nga Shtëpia e Bardhë në sheshin Lafayette aty pranë, që u përmbyll me presidentin duke pozuar me biblën në dorë para një kishe. Gjenerali tha se prezenca e tij “krijoi përshtypjen se ushtria është e përfshirë në punët e brendshme të vendit”.

“Nuk duhet të kisha qenë atje,” tha Shefi i Shtatmadhorisë në komentet që bëri në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes.

Presidenti Donald Trump te Kisha e Shen Gjonit

Presidenti Donald Trump te Kisha e Shen Gjonit

Dalja e presidentit më 1 qershor në parkun pranë Shtëpisë së Bardhë dhe fotografia me biblën në dorë ndodhi pak pasi autoritetet kishin përdorur spraj me spec djegës si dhe bomba zhurmuese për të shpërndarë protestuesit, të cilët po demonstronin në pjesën më të madhe në mënyrë paqësore pas vdekjes së George Floyd në Minesota gjatë arrestit.

Ne Parkun Lafayette

Ne Parkun Lafayette

Gjeneral Milley tha se prania e tij dhe fotografitë në atë zonë kompromentuan angazhimin e tij për të mbajtur veprimet e ushtrisë veçmas nga politika.

“Prania ime në atë moment në atë mjedis krijoi përshtypjen se ushtria po përziehet në punët e brendshme,” tha gjenerali. “Si oficer aktiv në uniformë, ishte një gabim, nga i cili kam nxjerrë mësime dhe sinqerisht shpresoj që të gjithë do të mësojmë nga kjo”.

Deklarata e tij ka të ngjarë të revoltojë presidentin, i cili reagon me forcë ndaj ndaj çdo kritike për aktivitetet ku merr pjesë. Po ashtu komentet bëhen në një kohë kur marrëdhëniet e drejtuesve të Pentagonit me Shtëpinë e Bardhë vazhdojnë të jenë të tensionuara pas një mosmarrëveshjeje javën e kaluar lidhur me kërcënimin e Presidentit Trump për të përdorur trupa federale për të ndalur trazirat që pasuan vdekjen e George Floyd.

Pas shpërndarjes së protestuesve nga sheshi Lafayette, presidenti udhëhoqi një grup zyrtarësh ku përfshihej edhe Gjenerali Milley dhe Sekretari i Pentagonit Mark Esper për të shkuar tek kisha episkopale e Shën Gjonit, ku ai ngriti biblën që mbante në dorë dhe pozoi për gazetarët dhe më pas u kthye në Shtëpinë e Bardhë.

Sekreari Esper nuk është shprehur se ka bërë gabim që shoqëroi presidentin në atë moment. Ai tha në një konferencë për shtyp se kur dolën nga Shtëpia e Bardhë ai mendoi se po shkonin për të parë dëmet në shesh dhe në kishë dhe për të përshëndetur trupat e Gardës Kombëtare.

Reagimi i autoriteteve ndaj protestave që plasën pas vdekjes së George Floyd ka krijuar tensione mes presidentit dhe zyrtarëve të lartë të Pentagonit. Kur Sekretari Esper tha për gazetarët më 3 qershor se kishte qenë kundër idesë së Presidentit Trump për të sjellë trupat aktive në rrugët e kryeqytetit për të sprapsur protestuesit dhe për të ndalur personat që kryenin akte vandalizmi dhe plaçkitje, më pas presidenti e kishte kritikuar ashpër.

Esper dhe Milley sinjalizuan përmes zëdhënësve të tyre se janë të hapur për “diskutime dypartiake” lidhur me idenë për të riemëruar 10 baza ushtarake që mbajnë emra të ushtarakëve të Konfederatës. Presidenti reagoi të mërkurën se nuk do të lejonte kurrë që të ndryshoheshin emrat e bazave.

Në fjalimin e tij drejtuar diplomantëve të Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes, Gjenerali Milley u shpreh: “Duhet të ruajmë të shtrenjtë parimin e ushtrisë apolitike që është i rrënjosur thellë në republikën tonë. Duhet punë e përpjekje, por mund të jetë gjëja më e rëndësishme që bën secili prej nesh”.

Gjenerali Milley shprehu gjithashtu revoltim për vrasjen e George Floyd dhe u bëri thirrje ushtarakëve ta shohin këtë vdekje si pasqyrim i padrejtësive të bëra ndaj afrikano-amerikanëve për shekuj.

“Po shohim hijen e gjatë të mëkatit tonë të parë (në koloninë) Xhejmstaun të themeluar 401 vjet më pare”, tha ai duke iu referuar sjelljes së skllevërve të parë në Tokën e Re.

Gjenerali Milley tha se ushtria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në problemin racor. Ai vuri në dukje se Forcat e Armatosura Tokësore kanë vetëm një gjeneral afrikano-amerikan me katër yje, por Forcat Ajrore do të drejtohen tani për herë të parë nga një gjeneral afrikano-amerikan. zëri i amerikës

SHBA, protestuesit rrëzojnë statuja, prishin simbole të Konfederatës

Në Riçmond, kryeqytet i shtetit Virxhinia, protestuesit rrëzuan të mërkurën vonë një statujë të presidentit të Konfederatës gjatë luftës civile, një tjetër monument që prishet në vazhdën e protestave mbarëkombëtare kundër padrejtësive racore.

Pamjet e postuara në mediat sociale tregonin statujën e Jefferson Davis, president i Konfederatës pro-skllavopronare gjatë Luftës Civile amerikane të viteve 1861-65, që tërhiqej nga një kamion ndërsa njerëzit e pranishëm brohorisnin.

Piedestali i statujës ishte i mbuluar me mbishkrime.

Ajo qëndronte në rrugën e monumenteve të qytetit ku rreshtohen statujat e disa figurave të njohura të Konfederatës.

Riçmondi ka qenë kryeqytet i Konfederatës gjatë pothuajse gjithë periudhës së Luftës Civile.

Vala globale e protestave antiraciste ka rihapur një fushatë për të hequr statuja dhe të tjera simbole që nderojnë udhëheqësit e Konfederatës.

Shumë jugorë i mbrojnë këto monumente si nderim për të rënët në luftë dhe si pjesë e historisë së vendit. Ata e kundërshtojnë me forcë heqjen e tyre, megjithëse ato lidhen me skllavërinë dhe racizmin.

Të hënën, një gjykatës në Riçmond lëshoi një urdhër 10-ditor kundër vendimit të Guvernatorit Ralph Northam për të hequr një statujë të gjeneralit të Konfederatës, Robert E. Lee në këtë qytet.

Më herët të mërkurën në Portsmuth të Virxhinias, protestuesit u hoqën kokat dhe përdhosën statujat që ishin pjesë e monumenteve të Konfederatës.

Një grup protestuesish rrëzuan po të mërkurën një statujë të eksploruesit italian Kristofor Kolombi në Sejt Pol të Minesotës. Një tjetër monument i Kolombit i ngritur në Riçmond në vitin 1927 u vandalizua dhe u hodh në një liqen.

Në orët e para të së mërkurës në Boston, iu hoq koka statujës së Kolombit në Boston.

Edhe pse Kristofor Kolombi u përshëndet për zbulimin e Botës së Re dhe hapjen e saj për ardhjen e evropianëve, disa studiues të ditëve të sotme flasin për një histori më komplekse, që përfshin skllavërimin dhe nënshtrimin e banorëve vendas. zëri i amerikës

Duke u përballur me vështirësi elektorale, Trump sjell përsëri ekipin e tij të vitit 2016

Marrë nga Associated Press

Kushdo që e ka dëgjuar ndonjëherë të flasë, e di që Presidentit Donald Trump i pëlqen të rijetojë vitin 2016.

Ai riciklon shprehjet e vjetra të sulmeve që dikur kishin si objektiv Hillary Clinton. Ai ritregon dramën e natës së zgjedhjeve, të plotë duke imituar fytyrat e folësve të lajmeve të hutuar që vendosnin shtet pas shteti (Pensilvania! Uiskonsin!) në kolonën e republikanëve.

Campaign 2016 Debate

Campaign 2016 Debate

Herë të tjera, në telefonatat private nga rezidenca e Shtëpisë së Bardhë, ai risjell atmosferën miqësore të atyre ditëve, duke u bërë nostalgjik ndërsa kujton se ishte i rrethuar nga një ekip i stafit të fushatës, ndërsa avioni i tij privat fluturonte nga një qytet në tjetrin.

Tani, Trump po e rikthen sërish grupin e tij të fushatës.

Ditët e fundit presidenti ka nënshkruar kontrata punësimi për një numër të ndihmësave të tij të vjetër të vitit 2016 për fushatën 2020, një rikthim i besnikëve së bashku me anëtarë të tjerë të ekipit të tij origjinal. I njohur si drejtues që kërkon njerëz besnikë dhe beson tek pak vetë, Trump po mundohet të rikrijojë magjinë e ekipit të tij origjinal, pesë muaj para se të përballet përsëri me votuesit.

Por viti 2020 nuk është 2016. Këshilltarët e Trump janë gjithnjë e më të shqetësuar për gjendjen e fushatës pasi presidenti përballet me kriza të shumta, që nga rreziku i krizës shëndetësore dhe ekonomike shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, e deri tek protestat masive që kanë përfshirë të gjithë vendin.

“Është fantastike që grupi i vitit 2016 të kthehet përsëri, por faktet janë fakte. Ai mezi fitoi dhe nuk ka bërë asgjë për të zgjeruar bazën e mbështetjes së tij,” tha Sam Nunberg, i cili e këshilloi Trumpin herët në fushatën e tij të parë.

“Ai nuk mund të fitojë me nostalgji. Nuk është e njëjta garë. Nuk ka të bëjë me parulla ose sloganë. Ka të bëjë me atë që ke bërë për mua dhe pse unë duhet të të rizgjedh ty bazuar në rekordin tënd”, thaotë Nunberg , një këshilltar jozyrtar që nuk do të ribashkohet sërisht në fushatë. “Nuk mund të luftojë vetëm betejën e fundit. Është koha për t’u përshtatur ose për të vdekur.”

Përforcimet po vijnë ndërsa Trump po pajtohet me idenë se nuk mund të drejtojë llojin e fushatës që kishte planifikuar për vite – një që dukej e realizueshme deri në janar, sipas tre zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë që folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të diskutonin publikisht bisedat private.

Trump kishte pritur të kandidonte duke patur një ekonomi të fortë, para se pandemia ta shkatërronte atë. Ai kishte shpresuar të gjallëronte një numër të akuzave të njohura për “minimin e presidencës së tij” ndërsa mendonte se do të përballej me një demokrat nga krahu liberal i partisë, të cilin mund të përpiqej ta portretizonte si socialist. Ai nuk e priste të përballej me Joe Biden, të krahut më të moderuar.

Megjithëse në dukje i sigurt, Trump u ka thënë këshilltarëve privatë se nuk mund të besonte sondazhet që tregojnë se ai është pas, dhe sipas zyrtarëve, i ka shprehur zemërim menaxherit të fushatës Brad Parscale mbi gjendjen e garës.

Fushata, e cila ka një infrastrukturë dhe staf shumë më të madh sesa katër vite më parë, minimizojë idenë se kthimi i anëtarëve veteranë të 2016-ës ishte ndikuar nga gjendja e garës ose pasqyronte një mungesë besimi tek zoti Parscale.

“Për mbi tre vjet tani, Brad po ndërton fushatën më të madhe dhe më të mirë politike në histori,” tha Tim Murtagh, drejtori i komunikimit të fushatës. “Zgjerimi i fundit i stafit po e bëjnë Ekipin Trump edhe më të fortë dhe po forcon udhëheqjen e Brad Parscale”.

Javën e kaluar, fushata Trump punësoi Jason Miller, drejtor i komunikimit në vitin 2016, për tu përqëndruar në strategjinë dhe koordinimin midis fushatës dhe Shtëpisë së Bardhë. Miller ka bashkë-organizuar një podcast pro-Trump me ish-shefin ekzekutiv të fushatës së presidentit, Steve Bannon.

Boris Epshteyn, i cili pas vitit 2016 u bë komentator i rrjetit konservator Sinclair Broadcast, u kthye të shërbejë një këshilltar strategjik për koalicionet. Bill Stepien, një këshilltar i lartë në vitin 2016, kohët e fundit u promovua në postin e zëvendës menaxherit të fushatës. Justin Clark, një tjetër këshilltar i vjetër, ka udhëhequr përpjekjet ligjore të fushatës Trump.

Fytyra të njohura janë rikthyer gjithashtu edhe në Shtëpinë e Bardhë.

Hope Hicks ishte zëdhënëse e fushatës së Trumpit në vitin 2016 përpara se të bëhej një nga ndihmësit e tij më të besuara në Shtëpinë e Bardhë. Ajo u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2018 vetëm për t’u rikthyer dy vjet më vonë dhe ishte një nga ideatoret prapa fotove të debatueshme të presidentit me një Bibël pasi ai përshkoi Sheshin Lafayette javën e kaluar për të shkuar në një kishë aty pranë, sapo zona u pastrua nga protestuesit.

Johnny McEntee, i cili shërbeu si ndihmës personal i zotit Trump para se të pushohej nga shefi i atëhershëm i personelit të Shtëpisë së Bardhë John Kelly në vitin 2018, u kthye në janar dhe është përqendruar në punësimin e besnikëve në administratë.

Disa nga ekipi i Trump 2016 nuk u larguan kurrë. Ivanka Trump dhe Jared Kushner, vajza e presidentit dhe dhëndri i presidentit, janë këshilltarë të vjetër.

Kellyanne Conway, menaxherja e fundit e presidentit për fushatën e vitit 2016, mbetet një këshilltare e lartë e Shtëpisë së Bardhë. Dan Scavino drejton median sociale të presidentit. Dy djemtë e presidentit, Donald Jr. dhe Eric Trump, dhe gruaja e Eric, Lara, mbeten përfaqësues të njohur të fushatës.

Por disa anëtarë të grupit të vjetër nuk janë rikthyer ende. Aty përfshihet Bannon, i cili mbetet mbështetës i Trumpit edhe pas një dalje të sikletshme nga Shtëpia e Bardhë, dhe Keith Schiller, i besuari i presidentit Trump për sigurinë. Gjithashtu nuk janë të përfshirë ata veteranë të vitit 2016 që kanë hyrë në telashe juridike, përfshirë Paul Manafort, Rick Gates, Roger Stone dhe Michael Flynn. zëri i amerikës

SHBA: Numri i rasteve me koronavirus mbi 2 milionë

Numri i rasteve me koronavirus në Shtetet e Bashkuara, kapërceu të mërkurën shifrën 2 milionë, sipas përllogaritjeve të agjencisë së lajmeve Reuters dhe gazetës New York Times.

Ndërkohë eksperti kryesor amerikan i sëmundjeve infektive, Dr. Anthony Fauci i tha Zërit të Amerikës se rreziku nuk ka kaluar dhe se me rihapjen graduale të shteteve amerikane dhe rikthimin në aktivitetin normal, mund të intensifikohen ritmet e përhapjes së infeksionit.

“Në një zonë ku ka vatra aktive infeksioni, nuk do të ishte e këshillueshme të hiqen menjëherë masat e distancimit social. Nuk ka një formulë të vetme. Vendimi duhet të diktohet nga situata në zonën ku jeton individi”, tha Dr. Fauci.

Në shkallë kombëtare, infeksionet e reja po rriten lehtë pas pesë javësh rënieje, sipas një analize të agjencisë Reuters.

Sipas analizës së gazetës New York Times, rastet po shtohen në 21 shtete dhe megjithë përmirësimet në shtete që fillimisht ishin goditur rëndë, si Nju Jorku, tani po shfaqen pika të nxehta në shtete të tjera, përfshirë Arizonën, ku një rritje e rasteve dhe shtrimeve në spital ka alarmuar zyrtarët vendorë.

Sipas projektit COVID-Tracking, numri më i lartë i atribuohet shtimit të testimeve, që arriti një rekord më 5 qershor, me 545,690 teste në një ditë të vetme, por që ka qenë më i ulët që nga ajo ditë.

Protestat masive pa distancim fizik pas vdekjes më 25 maj të afrikano-amerikanit George Floyd në duart e policisë në Minesota, mund të sjellin një rritje tjetër të ndjeshme në javët në vazhdim.

Zyrtarët e Shëndesisë po u bëjnë thirrje personave që morën pjesë në protestat masive për drejtësi sociale të testohen.

Në intervistën për shërbimin rus të Zërit të Amerikës, Dr. Fauci u kujton pjesëmarrësve në protesta se grumbullimet shoqërohen me rrezik të shtuar për infeksion dhe i këshillon të ndjekin protokollin mbrojtës, si mbajtjen e maskave:

“Maskat mund të mos kenë aftësi mbrojtëse prej 100%, por pa diskutim ofrojnë një masë mbrojtëse nga infektimi. Nëse dikush është i infektuar, maska mbron të tjerët nga infektimi. Një maskë e thjeshtë bezeje mjafton”, tha ai.

Në Shtetet e Bashkuara, numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus, është tani mbi 112,000, më i larti në botë.

Eksperti amerikan Fauci nënvizon paralajmërimin se infeksioni mund të përhapet edhe nga persona të prekur nga virusi, por që nuk shfaqin simptoma. Një eksperte e OBSH shkaktoi konfuzion ditët e fundit kur tha se infektimi nga këta persona është fenomen i rrallë.

“Rreth 25 – 30, 50 për qind e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma. E dimë se personat pa simptoma mund të infektojnë të tjerët. Nuk e dimë se çfarë përqindjeje e infektimeve janë shkaktuar nga personat pa simptoma, por e dimë që nuk është një fenomen i rrallë,” nënvizon Dr. Anthony Fauci.

Më 12 maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë i këshilloi qeverite që para se të rihapeshin, numri i rasteve pozitive duhet të ishte 5% ose më pak për të paktën 14 ditë.

Përqindjet në shkallë vendi në Shtetet e Bashkuara kanë variuar mes 4% dhe 7%, por shtete individuale e kanë plotësuar këtë kusht.

Disa shtete po njoftojnë për raste në përqindje mbi kufirin e rekomanduar për hapje nga OBSH-ja, përfshirë Merilendin me 8%, Jutan me 9%, Nebraskën me 9%, Virxhinian me 9%, Masaçusets me 11% dhe Arizona me 12%.

Përzgjedhja e një afrikano-amerikaneje për nënpresidente nga kandidati demokrat Joe Biden

Protestat e lëvizjes “Black Lives Matter” që kanë shpërthyer në Shtetet e Bashkuara pas vdekjes së një afrikano-amerikani pasi ishte ndaluar nga policia, kanë rritur presionin ndaj Joe Biden-it, kandidatit për president të Demokratëve, për të zgjedhur një kandidat për nënpresident nga radhët e komunitetit afrikano-amerikan. Ndërsa zoti Biden tashmë ka premtuar të emërojë një grua si të nominuarën e tij për nënpresidente, korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden njofton se peizazhi politik që po ndryshon ka krijuar perspektiva për disa udhëheqëse femra afrikano-amerikane që nuk ishin konsideruar ndër pretendentet kryesore.

Protestat mbarëkombëtare për padrejtësitë raciale që disa besojnë se u ushqyen prej thirrjes së ushtrisë nga Presidenti Donald Trump për të shuar trazirat civile, kanë nxitur thirrjet për Joe Biden-in për të zgjedhur një grua afrikano-amerikane si kandidate për nënpresidente.

Ai duhet tu ofrojë diçka votuesve afrikano-amerikanë. Dhe nuk mund të thotë thjesht se Donald Trump është një person i tmerrshëm. Duhet të jetë diçka më thelbësore se kaq”, thotë Niambi Carter, Profesore e Shkencave Politike, në Universitetin Howard.

I nominuari për president i demokratëve është zotuar të zgjedhë për nënpresidente një grua me kualifikime të larta.

Nevoja në rritje për të trajtuar tensionet racore dhe për të aktivizuar mbështetësit afrikano-amerikanë ka përqendruar vëmendjen te Senatorja e Kalifornisë, Kamala Harris. Një vajzë emigrantësh indianë dhe xhamajkanë që humbi përballë Biden-in në zgjedhjet paraprake, zonja Harris është bërë një pretendente kryesore.

Ndërkohë, perspektivat për senatoren e Minesotës, Amy Klobuchar, një tjetër rivale për nominimin presidencial, duket se janë zbehur prej kritikave se kur ishte prokurore në Minesota, ajo nuk ndoqi me forcë rastet e dhunës së tepruar nga policia.

Kryebashkiakja e Atlantës, në shtetin Xhorxhia, Keisha Lance Bottoms, e cila u konsiderua fillimisht me shanse jo të mira, ka fituar tashmë përparësi në nivel kombëtar pasi ajo mbajti një fjalim të zjarrtë për trazirat në qytetin e saj dhe largoi oficerët e policisë që u akuzuan për përdorim të tepërt të forcës gjatë një proteste.

Ne e kuptojmë që oficerët tanë po punojnë me orë të zgjatura nën një stres të jashtëzakonshëm, por gjithashtu e kuptojmë se përdorimi i forcës së tepërt nuk është kurrë i pranueshëm“, tha ajo.

Po përmendet më shumë edhe Ligjvënësja e shtetit Florida, Val Demings, e cili ishte ndër drejtuesit e procedurave të hetimit të Presidentit Trump. Por ajo gjithashtu është kritikuar për rolin e saj në të kaluarën si shefe policie në Orlando.

Ish-ligjvënësja e shtetit Xhorxhia, Stacey Abrams, e cili humbi në një garë të ngushtë për guvernatore në një shtet të fortë republikan, si dhe ish-këshilltarja e Sigurisë Kombëtare Susan Rice janë gjithashtu një mundësi.

Disa e kritikojnë zonjën Abrams, për mungesën e përvojës së saj në një post të zgjedhur në nivel kombëtar, si guvernatore ose senatore.

Do të doja ta kundërshtoja këtë, sepse kur përcaktojmë kualifikimet në një mënyrë të caktuar, kjo ka tendencën të rrisë pabarazitë që shohim“, thotë Akunna Cook, analiste politike me organizatën “Third Way”.

Ndërsa disa demokrate nga popullsia e bardhë si Senatorja e shtetit Masaçusets, Elizabeth Warren, dhe Guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer, mund të kenë më shumë eksperiencë, thonë analistët, ringjallja e lëvizjes Black Lives Matter mund ta shndërrojnë zgjedhjen e një kandidateje afrikano-amerikane në një detyrim politik dhe moral.

Një afrikano-amerikan gradohet Shef i Shtabit të Forcave Ajrore

Për herë të parë në histori, një oficer afrikano-amerikan tani do të drejtojë një degë të shërbimeve ushtarake të SHBA.

Gjenerali Charles Brown Jr. u konfirmua të martën nga Senati si Shef i Shtabit të Forcave Ajrore të vendit me një votim të njëzëshëm prej 98 votash pro dhe asnjë kundër.

Para konfirmimit, Gjenerali Brown ka qenë komandant i Forcave Ajrore amerikane të Paqësorit, që përgjigjej për aktivitetet e Forcave Ajrore në teatrin e Indo-Paqësorit, me përhapje në gjysmën e globit.

Ai ka qenë gjithashtu zv / komandant i Komandës Qendrore të SHBA, që përgjigjet për veprimtarinë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, ndërsa para kësaj, ka qenë komandant në Komandës Qendrore të Forcave Ajrore të SHBA.

Konfirmimi historik i Gjeneralit Brown vjen ndërsa vendi është përfshirë nga protesta kundër padrejtësive racore dhe sociale, pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd në duart e policisë muajin e kaluar.

“Mendoj se emërimi im mund të sjellë një farë shprese, por ai shoqërohet gjithashtu me një barrë të rëndë. Unë nuk mund të ndreq atë që është shkaktuar pas shekujsh racizmi në vendin tonë, dhe as nuk mund të ndreq diskriminimin prej dekadash që mund të ketë ndikuar tek anëtarët e Forcës sonë Ajrore,” tha Gjenerali Brown në një video për Forcën Ajrore.

Në video, ai tha se shpreson që njerëzit të udhëhiqen nga mençuria në këto “periudha të vështira” dhe që të bëhen përmirësime “në mënyrë që të gjithë njerëzit e forcës ajrore, si sot ashtu edhe nesër, të kuptojnë vlerën e diversitetit dhe të shërbejnë në një mjedis ku ata të mund të arrijnë potencialin e tyre të plotë.”

“As the Commander of Pacific Air Forces, a senior leader in our Air Force, and an African-American, many of you may be wondering what I’m thinking about the current events surrounding the tragic death of George Floyd. Here’s what I’m thinking about…” – Gen. CQ Brown, Jr. pic.twitter.com/I2sf1067L6

— PACAF (@PACAF) June 5, 2020

Ai foli me sinqeritet për përvojën e vet të racizmit, për të cilën tha se “jo gjithmonë të kujtonte lirinë dhe barazinë”. Për shembull, kishte njerëz që e pyesnin “Jeni pilot?” edhe pse mbante të njëjtin konstum dhe emblema si pilotët e tjerë të bardhë në skuadronin e tij. Nga ana tjetër, kishte disa afrikano-amerikanë që i thoshin se nuk ishte sa duhej afrikano-amerikan pasi kalonte më shumë kohë me skuadronin e tij sesa me ta.

Senator James Inhofe

Senator James Inhofe

Senatori Jim Inhofe, kryetar i Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, e quajti Gjeneralin Brown një “udhëheqës frymëzues – i guximshëm, autentik dhe unifikues” – ekspertiza e të cilit në teatrin Indo-Paqësor do të jetë një pasuri, tani që ushtria po përqendrohet më shumë në atë pjesë të globit.

Ish Kreu i Shtatmadhorisë, Admirali në pension Mike Mullen, e quajti konfirmimin e Gjeneralit Brown “një hap të madh në drejtimin e duhur”, por ai shqetësohet për faktin se numri i afrikano-amerikanëve që mbajnë pozita drejtuese në ushtrinë amerikane ka ardhur duke u tkurrur.

“Jam larguar tetë vjet e gjysmë më parë dhe shqetësohem shumë për faktin që kemi ecur prapa që nga ajo kohë pasi numrat nuk janë aty ku duhet të ishin”, tha ai.

Brown, pilot i avionit luftarak F-16, ka bërë gati 3,000 orë fluturime dhe 130 orë luftim gjatë shërbimit të tij më shumë se 35 vjeçar. Ai përfundoi studimet me diplomë nderi në Universitetin Texas Tech.

Gjenerali Brown u emërua më 2 mars për të zëvendësuar Gjeneralin David Goldfein, i cili pritet të dalë në pension në javët e ardhshme.


Send this to a friend