VOAL

VOAL

Biden paralajmëron pasoja vdekjeprurëse nëse Trump nuk koordinon reagimin kundër koronavirusit

Steven Herman

Presidenti i zgjedhur Joe Biden paralajmëroi se refuzimi i Presidentit Trump për të njohur tranzicionin para inaugurimit me 20 janar, mund të ketë pasoja tejet të rënda ndërsa vendi ndodhet në mesin e pandemisë së koronavirusit.

“Më shumë njerëz mund të vdesin nëse ne nuk koordinohemi”,tha zoti Biden si përgjigje ndaj pyetjes së një gazetari të hënën në qytetin Uillmington të shtetit Delauer.

Ndërsa përsëriti paralajmërimin se vendi ndodhet përballë një “dimri shumë të errët”, zoti Biden bëri thirrje për miratimin e menjëhershëm nga Kongresi të projektligjit të quajtur HEROES, një paketë stimuluese prej 3 trilionë dollarësh e propozuar si reagim ndaj pasojave të rënda ekonomike që ka të sjellë COVID-19.

“Ideja se presidenti ende është duke luajtur golf dhe nuk po bën asgjë rreth kësaj është përtej logjikës” , tha zoti Biden, ndërsa shtoi se: “mendoja se ai do të donte të largohej me një gjë pozitive”.

Presidenti i zgjedhur tha se njerëzve po u mbaron siguracioni në rasr papunësie dhe 20 milionë njerëz janë në prag të humbjes së shtëpive të tyre sepse nuk po paguajnë dot kreditë bankare, ndërsa “një numër i madh njerëzish po dëbohen dhe do të nxirren nga shtëpitë sepse nuk paguajnë dot qeranë”.

Zoti Biden i bëri komentet pas një takimi që ai së bashku me Nënpresidenten e zgjedhur Kamala Harris mbajtën lidhur me gjendjen e ekonomisë amerikane, e cila përballet me sfida të reja ndërsa rritet numri i infeksioneve me koronavirus. Numri në rritje i infeksioneve dhe shtrimeve në spital ka shtyrë guvernatorët dhe zyrtarët lokalë të disa shteteve që të rivendosin kufizime ndaj bizneseve në një përpjekje për të frenuar përhapjen e infektimeve me koronavirus.

“Aktualisht jemi në një vrimë shumë të errët, të paktën në lidhje me drejtimin që po ndjekim në raport me koronavirusin”, tha zoti Biden gjatë një diskutimi me drejtuesit e disa biznesve si dhe grupe punonjësish.

Presidenti Trump, i cili qëndroi në Shtëpinë e bardhë të hënën dhe nuk bëri asnjë dalje publike, në mendje kishte tregun e aksioneve gjatë mëngjesit, duke vlerësuar një njoftim rreth një vaksine të dytë kundër koronavirusit, për të cilën u shpreh se ndikoi në rritjen e tregut të aksioneve. Dow Jones u rrit me 1.6% të hënën.

“Mos harroni se këto zbulime të mëdha, që do t’i japin fund virusit kinez, ndodhën nën udhëheqjen time”, shkroi presidenti në Twitter, duke iu referuar vaksinave të njoftuara nga kompanitë Pfizer një javë më parë dhe Moderna të hënën.

“Duket se janë gati për përdorim”, tha zoti Biden për vaksinat. Ai e ka kritikuar Presidentin Trump lidhur me deklarata për të cilat tha se mund të ndikojnë tek njerëzit që hezitojnë të vaksinohen.

Vaksinimi në masë në Shtetet e Bashkuara mund të jetë disa muaj larg, ndërsa numri i rasteve me koronavirus dhe shtrimeve në spital po shtohen në shifra rekord.

Deri tani në Shtetet e Bashkuara janë regjistruar më shumë se 246 mijë vdekje nga koronavirusi dhe 1.1 milionë infektime, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins. Të dy këto shifra janë më të lartat në botë.

Ekonomia amerikane ka rikuperuar miliona vende pune të humbura gjatë javëve të para të pandemisë në mars dhe prill, kur shkalla e papunësisë arriti 14.7%. Shkalla e papunësisë u përmirësua në tetor duke rënë në 6.9%, por vazhdon të jetë pothuajse sa dyfishi i shifrës më të ulëtë shënuar prej pesë dekadash ose 3.5% të regjistruar para se vendi të goditej nga virusi. Miliona vende pune u zhdukën gjatë pandemisë dhe mund të mos kthehen më ndërsa një valë e dytë infeksionesh ka përfshirë vendin.

Rezultatet e zgjedhjeve

Mundësia e zotit Biden për të trajtuar rimëkëmbjen ekonomike kushtëzohet gjerësisht nga rezultati i dy balotazheve në shtetin Xhorxhia më 5 janar.

Deri tani, republikanët kanë fituar 50 nga 100 vendet në Senatin e ri që mblidhet në fillim të janarit. Demokratët kanë 48 vende. Nëse senatorët republikanë fitojnë njërën ose dy vendet në zgjedhjet në Xhorxhia, republikanët do të vazhdojnë të ruajnë kontrollin e Senatit për dy vitet e ardhshme dhe kufizojnë mundësitë e presidentit të ri për të çuar përpara axhendën e tij legjislative, përfshi miratimin e një ndihme ekonomike për familjet e goditura rëndë nga pandemia.

Nëse demokratët fitojnë dy vendet në Senat në zgjedhjet në Xhorxhia, zoti Biden mund ta përdorë Senatin e ndarë politikisht në favor të tij, për shkak të votës së Nënpresidentes Harris e cila ndryshon balancën në Senat.

Presidenti Trump ka refuzuar të pranojë humbjen ndërsa vazhdon me pretendimet ligjore se zgjedhjet e 3 nëntorit ishin të manipuluara. Presidenti ka theksuar ato që i quan parregullsi në disa shtete. Zyrtarët shtetërore të zgjedhjeve nuk kanë raportuar ndonjë parregullsi serioze në votime që do të ndikonte rezultatin.

“Fitova”, shkruante Presidenti Trump në Twitter të hënën. “Jo, Biden fitoi zgjedhjet”, shkruante Associated Press duke kontrolluar faktet pas deklaratës së presidentit në Twitter, dhe vënë në dukje se zoti Biden fitoi në shtetet kyce, duke tejkaluar kufirin prej 270 votash elektorale për t’u shpallur fitues i garës presidenciale.

Një koalicion i zyrtarëve në nivel shtetëror që trajtojnë çështjet e zgjedhjeve dhe Agjencisë së Sigurisë Kibernetike e të Infrastukturës pranë Departamentit të Sigurisë Kombëtare thanë përmes një deklarate të përbashkët se zgjedhjet ishin më të sigurtat në histori dhe se nuk kishte “asnjë provë se ndonjë sistem votimi fshiu, humbi, ndryshoi votat apo se i kishte kompromentuar ato në një mënyrë a tjetër ”.

Trumpi pyeti ndihmësit për mundësinë e sulmit ndaj Iranit

Me vetëm dy muaj sa i kanë mbetur në detyrë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pyeti ndihmësit e lartë në lidhje me mundësitë për të goditur objektet bërthamore të Iranit, thonë raportet e mediave.

Gjatë një takimi në Zyrën Ovale më 12 nëntor, Trump pyeti disa ndihmës të lartë, duke përfshirë zëvëndëspresidentin, Mike Pence, sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, Mark Milley, “nëse ai kishte mundësi për të marrë masa kundër Iranit në javët e ardhshme “, raportoi The New York Times më 16 nëntor.

Zyrtarët e lartë “e dekurajuan presidentin të lëvizte përpara me një sulm ushtarak”, duke e paralajmëruar atë se lëvizja mund të ndezte një konflikt më të gjerë në javët e fundit të presidencës së tij, shkroi The Times.

Një zyrtar amerikan konfirmoi raportin për Reuters më 17 nëntor.

“Ai kërkoi mundësi. Ata i paraqitën atij skenarët dhe ai në fund të fundit vendosi të mos lëvizte përpara”, tha zyrtari. Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentojë raportet.

Trump thuhet se e bëri pyetjen pasi një raport nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha se Irani po vazhdonte të zhvillonte uranium të pasuruar.

Objektivi më i mundshëm i një sulmi do të kishte qenë Natanz, ku IAEA raportoi se “rezervat e uraniumit të Teheranit tani ishin 12 herë më të larta” sesa lejohej sipas një marrëveshje historike të vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore nga e cila Trump u tërhoq më 2018.

Trump, i cili ka refuzuar të pranojë humbjen dhe po sfidon rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, do të dorëzojë pushtetin te presidenti i zgjedhur demokrat, Joe Biden, më 20 janar.

Ekipi i tranzicionit i Bidenit nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje.

Administrata e Trump ka refuzuar të fillojë tranzicionin, duke ndaluar ekipin e Biden nga qasja në informacionet e inteligjencës dhe sigurisë kombëtare. rel

Biden: Do të ketë më shumë vdekje nga COVID-19 nëse Trumpi vonon tranzicionin

Presidenti i zgjedhur në Shtetet e Bashkuara, Joe Biden, ka paralajmëruar se numri i të vdekurve nga koronavirusi do të rritet nëse presidenti, Donald Trump nuk ndan informacione mbi shpërndarjen e një vaksine me administratën e re, para ditës së inaugurimit më 20 janar.

“Më shumë njerëz mund të vdesin nëse nuk kemi koordinim”, tha Biden, më 16 nëntor, gjatë një konference për media nga shteti i tij në Dellauer kur u pyet për rreziqet që mund të paraqiten nëse nuk pranon informacione në kohë nga paraardhësi i tij.

Trump ka refuzuar të pranojë humbjen në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe të ndajë informacione të ndjeshme shtetërore me ekipin e Bidenit, duke pretenduar – pa prova – se votimet ishin të manipuluara.

Shtetet e Bashkuara po kalojnë valën e tretë, dhe më të keqe të koronavirusit. Numri i rasteve të reja tejkalojnë 130.000 në ditë.

Vendi ka të ngjarë të kalojë 250.000 vdekje nga COVID-19 deri në fund të javës, shifra më e lartë në të gjithë botën.

Dy kompani amerikane, gjatë javës së kaluar, kanë njoftuar se vaksinat e tyre janë më shumë se 90 për qind efektive kundër koronavirusit, duke rritur shpresat se sëmundja vdekjeprurëse mund të mposhtet shpejt. Kompanitë kanë thënë se vaksinat mund të jenë gati për shpërndarje brenda javësh.

Biden tha se shpërndarja e vaksinave – duke filluar me personat më të rrezikuar – do të ishte një “ndërmarrje e madhe “.

Pritja për të marrë detaje rreth planeve nga administrata Trump do të vononte shpërndarjen.

Biden tha se ekipi i tij po “ecë përpara” me planet e tyre, pavarësisht nga mungesa e koordinimit me administratën Trump.

Ai tha se nënpresidentja e zgjedhur, Kamala Harris, si anëtare e Komitetit të Senatit për Inteligjencën, ende merr azhurnime të inteligjencës nga Shtëpia e Bardhë.

Biden gjithashtu tha se po pranon gjithnjë e më shumë urime nga udhëheqës të huaj.

Presidenti i zgjedhur tha se ai shpresonte që anëtarët republikanë të Kongresit do të kundërshtojnë Trumpin lidhur me pretendimet e tij për manipulimet në zgjedhje dhe do ta nxisin presidentin të ndihmojë procesin e tranzicionin të pushtetit.

Ai gjithashtu tha se do të përpiqet të tejkalojë hendekun midis dy partive, duke shtuar se ai kishte një mandat nga populli për të gjetur kompromise në miratimin e legjislacionit.

“Mesazhi im është ky: unë do të punoj me ju. Unë e kuptoj shumë ngurrimin tuaj për shkak të mënyrës se si vepron [Trump]. Nëse duhet të presë deri në janar për t’u bërë funksional, kjo është turp, por ndoshta kjo është mënyra e vetme për të përfunduar këtë çështje “, tha ai.

Biden foli pas takimit me shefat ekzekutivë të kompanive kryesore amerikane, të tilla si Microsoft dhe General Motors, si dhe udhëheqësit e sindikatave të punës.

“Është vërtet inkurajuese që njerëzit – biznesi dhe fuqia punëtore – së bashku të bien dakord për rrugën përpara,” tha ai.

Presidenti i zgjedhur gjithashtu tha se ai do të mbështesë investimet në teknologji, duke përfshirë makinat elektrike, duke thënë se vendi duhet të bëhet lider në industri.

Biden u projektua fitues nga të gjitha mediat kryesore të SHBA-së, pasi rezultatet jozyrtare i dhanë atij më shumë se 270 votat e Kolegjit Zgjedhor, të nevojshme për të fituar Shtëpinë e Bardhë.

Trump dhe ekipi i tij ligjor kanë filluar një sërë sfidash përkundër faktit se zyrtarët e zgjedhjeve në të gjithë vendin kanë thënë se nuk panë prova të parregullsive serioze.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Doug Emhoff hyn në histori si i pari “Zotëria i Dytë“

Mariama Diallo

Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris pritet të hyjë në historinë e Shteteve të Bashkuara si gruaja e parë që merr këtë pozitë. Kjo nënkupton që burri i saj, Doug Emhoff, do të bëhet “zotëria i dytë“, i pari burrë që merr këtë epitet në Shtëpinë e Bardhë.

Bashkëshorti i nënpresidentes së zgjedhur Kamala Harris do të hyjë në histori, duke u bërë i pari bashkëshort, që do të njihet si “zotëria i dytë” në Shtëpinë e Bardhë.

Ky është hap i madh drejt arritjes së barazisë gjinore, thotë Sarah Rowley nga Universiteti DePaw, ndërsa tregon se mbetet ende shumë për t’u bërë.

Kjo pasqyron arritjet pas sfidash prej disa dekadash në rolet gjinore. Por gjithashtu tregon se sa më larg duhet të shkojmë për të arritur barazi gjinore duke pasur parasysh faktin se kjo është hera e parë që kemi këtë situatë – 232 vite pas zgjedhjeve të para presidenciale, 100 vjet pas amendamentit të 19-të dhe 36 vjet pas hyrjes së një gruaje në një parti të madhe dhe në dyshen për president dhe nënpresident”, tha zonja Rowley.

Zoti Emhoff është burri i katërt që është bashkëshorti i një gruaje që është pjesë e dyshes presidenciale ose nënpresidenciale. Ishte dyshja Walter Mondale dhe Geraldine Ferraro më 1984, pasuar nga John McCain dhe Sarah Palin më 2008 dhe Hillary Clinton me Tim Kaine në 2016.

Zoti Emhoff vjen me shumë risi thotë Matthew Schmidt nga Universiteti New Haven.

Zoti Emhoff po e lë punën, gjë që e kanë bërë të gjitha zonjat e para dhe të dyta. Mendoj se është me rëndësi që Jill Biden nuk po e lë punën. Zoti Emhoff nuk është i krishter. Ai është një hebre dhe kjo është diçka e re. Sigurisht kemi një martesë të vonë që vjen pas divorcit, me një familje të përzier si nga raca edhe feja. Kjo i jep zonjës Harris epitetin ‘momala’”, thotë Matthew Schmidt, Profesor i Shkencave Politike dhe Sigurisë Kombëtare në Universitetin New Haven.

“Momala,” thotë zonja Harris është emri me të cilin e thërrasin nipërit e saj, përzierje e fjalëve “nënë“ dhe “Kamala”.

Javën që shkoi ajo postoi në Twitter një foto me bashkëshortin duke buzqeshur natën që Joe Biden u parashikua si fitues i zgjedhjeve. “Njihuni me dashurinë e jetës sime”, u tha ajo 11.5 milionë ndjekësve të saj.

Ai është treguar një bashkëshort i përgjegjshëm familjar. Prania e tij në publik gjatë fushatës tregoi dashurinë që ka për Kamala Harris, duke treguar se ai mund të përqëndrohet në dashurinë e tyre por edhe rolin e tij si burrë dhe baba”, thotë Sarah Rowley nga Universiteti DePauw.

Zonja Harris dhe zoti Emhoff janë takuar më 2013 dhe u martuan pas një viti. Kjo është martesa e parë e zonjës Harris dhe e dyta për zotin Emhoff. Fëmijët e tij janë në o.shën 20 vjeçare. Deri tani, 56 vjeçari ka folur pak për çështjet që ai do të ndjek si zotëria i dytë.

Matthew Schmidt, Universiteti New Haven

“Supozimi im bazohet në qëndrimin e tij gjatë fushatës. Ai ishte mjaft i qetë dhe mund ta shoh duke qëndruar në qetësi edhe në Shtëpinë e Bardhë“, thotë Matthew Schmidt, nga Universiteti New Haven.

Ndërsa shumë e shohin zonjën Harris si grua model, e njëjta gjë mund të shihet edhe tek zoti Emhoff i cili vuri karrierën e gruas së tij para të vetes.

Raporti i FBI-së: Krimet e urrejtjes u rritën me 2.7 për qind në 2019

Vitin e kaluar në SHBA krimet me bazë urrejtjen pësuan një rritje me 2.7 për qind, duke arritur nivelin e tyre më të lartë në më shumë se një dekadë, thuhet në një raport të ri të Byrosë Federale të Hetimit (FBI).

Në 2019 u shënuan 7,314 incidente të klasifikuara si krime urrejtjeje nga 7,120 në 2018, numri më i lartë i incidenteve të kësaj natyre që nga viti 2008, sipas raportit të publikuar të hënën.

Përkundër një rënie të lehtë në 2018, krimet me bazë urrejtjen u rritën me gati 21 për qind gjatë tre viteve të para të administratës së Presidentit Donald Trump, një periudhë që u shënua nga një gjallërim i një lëvizjeje gjithnjë e më të dhunshme të ekstremit të djathtë. Megjithëse zoti Trump i ka denoncuar supremacistët e bardhë, përfaqësuesit e organizatave që vëzhgojnë ekstremizmin, vërejnë se krimet me bazë urrejtjen janë rritur ndaj atyre grupeve të cilat kanë qenë objekt sulmesh nga presidenti. Për shembull krimet me bazë urrejtjen kundër anëtarëve të komunitetit hispanik në SHBA, u rritën me 53 për qind gjatë tre viteve të para në detyrë të zotit Trump, sipas të dhënave të FBI-së.

Rritjet e fundit të krimeve me bazë urrejtjen japin një panoramë të re, ku sulmet kundër grupeve viktima, jo vetëm që po rriten, por kjo rritje po nxitet gjithashtu nga një përhapje më e madhe e akteve më të dhunshme“, thotë Brian Levin, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit në universitetin shtetëror të Kalifornisë.

FBI-ja përcakton si krime me bazë urrejtjen ato vepra penale të motivuara nga raca, etnia, origjina, feja, orientimi seksual, paaftësia fizike ose mendore, gjinia dhe identiteti gjinor.

Megjithëse shumica e krimeve me bazë urrejtjen nuk janë të dhunshme, raporti tregon një rritje të akteve të dhunshme si sulmet dhe vrasjet.

Vrasjet e motivuara nga urrejtja u dyfishuan në një shifër rekord prej 51 të tillash, të nxitura nga sulme të kryera nga supremacistët e bardhë, përfshirë masakrën e gushtit 2019 në një supermarket në El Paso të Teksasit, ku u vranë 23 persona.

Viti i kaluar shënoi rritjen e tretë radhazi të vrasjeve të motivuara nga urrejtja. Sipas të dhënave të përpiluara nga Qendra për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit, vrasjet e kryera nga supremacistët e bardhë dhe ekstremistët e tjerë të djathtë pësuan gjithashtu rritje për të tretin vit me radhë në 2019.

Këta vrasës racistë mbizotëruan kategorinë e përgjithshme të vrasjeve të motivuara nga ekstremizmi me një total më të lartë se të gjitha vrasjet me bazë ekstremizmin të kombinuara së bashku për vitin 2018“, thuhej në raportin e kësaj qendre.

Numri i sulmeve me pasoja të rënda, të nxitura nga urrejtja, u rrit për të gjashtin vit me radhë në nivelin më të lartë që nga viti 2001, sipas raportit të FBI-së. Vitin e kaluar u shënuan 866 sulme të rënda, nga 818 një vit më parë.

Sikurse në vitet e mëparshme, shumica e krimeve me bazë urrejtjen të raportuara në 2019 ishin të motivuara nga raca dhe etnia, ndjekur nga feja si një tjetër shkak.

Krimet e urrejtjes me bazë anti-semitizmin u rritën me 14 për qind, në 953 raste, niveli më i lartë që nga viti 2008. Sipas Qendrës për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit “2019 ishte një nga dy vitet e dekadës së fundit me mbi 900 krime urrejtjeje që kishin për bazë anti-semitizmin”.

Krime e urrejtjes kundër hispanikëve u rritën me rreth 9 për qind, në 527 raste në 2019, numri më i lartë që nga viti 2010, ndërsa sulmet kundër komunitetit me origjinë arabe u rritën me 16 për qind në 95. Ndërkohë krimet e urrejtjes kundër myslimanëve ranë për të tretin vit me radhë, nga 188 në 176, pasi arritën kulmin me 308 raste në vitin 2016.

zëri i amerikës

Këshilltari i Presidentit Trump: Duket që ka fituar Joe Biden

Jeff Seldin

Një këshilltar i lartë i Presidentit Trump u duk se pranoi të hënën se nuk ka shumë të ngjarë që presidenti të shpallet fitues i zgjedhjeve të 3 nëntorit, megjithëse zoti Trump dhe ndihmës të tij të afërt ende shpresojnë për një mandat të dytë.

“Nëse vendoset se fituese ishte dyshja Biden-Harris, në fakt gjërat duket se po shkojnë në atë drejtim, do të bëjmë një tranzicion shumë profesional në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Pa diskutim,” tha këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare, Robert O’Brien gjatë Forumit për Siguri Globale, të zhvilluar përmes internetit.

“Fakti i mrekullueshëm është se në Shtetet e Bashkuara ne e kalojmë stafetën në mënyrë paqësore dhe me sukses edhe në periudhat më konfliktuale,” tha zoti O’Brien.

Komentet e zyrtarit të lartë vijnë në një kohë që Presidenti Trump vazhdon të këmbëngulë në median sociale se zgjedhjet u manipuluan dhe se ai duhet të shpallet fitues dhe jo rivali demokrat Joe Biden, të cilin e kanë shpallur fitues të pritshëm mediat amerikane.

“Demokratët e së majtës radikale, duke bashkëpunuar me partnerët e tyre, ‘Median e Lajmit të Sajuar’, po përpiqen të VJEDHIN zgjedhjet. Nuk do t’i lëmë,” tha presidenti, pak pas komenteve të zotit O’Brien.

“Unë i fitova Zgjedhjet!” shtoi presidenti në një tjetër postim në Twitter të hënën, ndërkohë që në një tjetër vuri në pikëpyetje vërtetësinë e procesit për numërimin e votave që vazhdon në shtetin Xhorxhia.

Kompania Twitter u ngjiti nga një etiketë me fjalët “në pikëpyetje” të tre postimeve të presidentit.

Të hënën, zoti O’Brien u duk se kishte zgjedhur një ton më të zbutur.

“Nëse ka një administratë të re, ata meritojnë të kenë një farë kohe në dispozicion para se të vijnë në Shtëpinë e Bardhë dhe të fillojnë zbatimin e politikave të tyre,” tha ai. “Do të kenë njerëz shumë profesionistë që do të mbushin këto poste, shumë prej të cilëve kanë qenë më parë në detyra në Shtëpinë e Bardhë”.

Zoti O’Brien shprehu gjithashtu shpresën se si president, zoti Biden do të çojë më tej disa nga sukseset e Presidentit Trump, sidomos Marrëveshjet e Abrahamit mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara dhe Bahrenit.

“Nëse paditë e ngritura nuk përfundojnë me sukses për Presidentin Trump dhe presidenti i zgjedhur Biden bëhet presidenti i ardhshëm amerikan, shpresoj që administrata Biden-Harris do të vazhdojë të punojë për Marrëveshjet e Abrahamit,” tha ai gjatë forumit përmes internetit.

Ekipi i presidentit Trump ka ngritur një numër padish lidhur me fletëvotime në disa shtete të lëkundura. Por, të dielën ekipi hoqi dorë nga një element i rëndësishëm i padisë që kishte ngritur në Pensilvani në përpjekje për të ndalur çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve. Zyrtarët kanë thënë se akuzat e ngritura kanë të bëjnë tani me një numër të vogël fletëvotimesh në një shtet ku pritet që Joe Biden të dalë fitues me një diferencë prej më shumë se 60,000 votash.

Vetë presidenti vazhdon të ngulmojë publikisht me pretendime për manipulim votash dhe parregullsi të tjera, megjithëse ai dhe përkrahësit e tij nuk kanë ofruar prova për të mbështetur këto pretendime.

Të dielën u duk se presidenti e pranoi se rivali Joe Biden kishte fituar, por komentoi në Twitter se Biden “fitoi sepse zgjedhjet u manipuluan” dhe se rivali demokat “ka fituar vetëm në sytë e MEDIAS SË LAJMEVE TË SAJUARA”.

“NUK PRANOJ ASGJË!” shtoi presidenti.

Ekipi i zotit Biden i kërkon administratës Trump të nisë tranzicionin e pushtetit

Michelle Quinn

Në një kohë kur në Shtetet e Bashkuara numri i rasteve me koronavirus vazhdon të rritet, ekipi i tranzicionit i ish-Nënpresidentit Joe Biden, fituesi i parashikuar i garës presidenciale, po i kërkon administratës së Presidentit Trump të nisë këtë javë procesin e tranzicionit. Pengesat në këtë drejtim, sipas anëtarëve të ekipit të zotit Biden, do të rrezikonin vendin ndërsa ndodhet në mesin e një vale pandemie.

Rastet me koronavirus po rriten kudo në SHBA. Por ndërkohë virusi është bërë pjesë e një drame politike, rreth asaj nëse Presidenti Donald Trump do të lejojë bashkëpunimin mes administratës së tij dhe ekipit që punon për Joe Bidenin, I parashikuar si fitues i garës presidenciale, e që do të inaugurohet më 20 janar të 2021.

Deri tani, Presidenti Trump, i cili vazhdon të pretendojë, por pa ofruar prova, për manipulim masiv të votave, nuk e ka lejuar fillimin e procesit të tranzicionit të administratës së re. Anëtarët e ekipit të zotit Biden thonë se kjo po vë në rrezik vendin ndërsa ndodhet në mesin e një vale pandemie.

Është në interesin kombëtar që ekipi i tranzicionit të njihet me informacionet rreth kërcënimit që paraqet pandemia, në mënyrë që të kuptojë planet e shpërndarjes së vaksinave, të dijë se ku janë rezervat, cila është gjendja me maskat e dorezat. Ka shumë informacione të cilat duhet të shpërndahen. Kjo nuk është një gjë që mund të bëhet në minutën e fundit“, thotë Dr. Atul Gawande, anëtar i bordit këshillimor të zotit Biden mbi çështje që lidhen me COVID-19-n.

Sipas gazetës The Washington Post, hera e fundit që Presidenti Trump ka marrë pjesë në takimet e grupit të punës mbi koronavirusin, ishte para pesë muajsh. Por, javën e kaluar, ai foli mbi kohën që do të duhet për prodhimin e një vaksine kundër COVID-19-s.

“Ky proces do të fillojë menjëherë, do të shpërndahen me miliona doza së shpejti. Ata janë gati në pritje të miratimit përfundimtar”, thotë Presidenti Donald Trump.

Admirali Brett Giroir, anëtar i grupit të punës së Shtëpisë së Bardhë mbi koronavirusin, thotë se informacionet rreth përpjekjeve të administratës Trump për të luftuar infeksionin janë ndarë gjerësisht me publikun, përfshirë dhe me anëtarët e ekipit të zotit Biden.

Dua të jem sa më transparent të jetë e mundur me të gjithë. Kjo nuk është çështje politike. Kjo është një çështje që lidhet me shëndetin publik dhe shpëtimin e jetëve të amerikane. Mendoj se nuk ka asgjë më të rëndësishme se kjo”, thotë ai.

John Bolton, ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i zotit Trump, u bëri thirrje udhëheqësve republikanë të nxisin Shtëpinë e Bardhë të ndajë me administratën e zotit Biden informacione lidhur me virusin dhe sigurinë kombëtare.

Sërish mendoj se duhet që republikanët të shpjegojnë se është e pashmagshme që të ketë një tranzicion dhe se ai duhet të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur“, thotë ai.

Sipas të dhënave të universitetit Johns Hopkins në SHBA janë regjistruar mbi 11 milionë raste me koronavirus dhe rreth 246 mijë vdekje prej fillimit të pandemisë. Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të lartë në botë të banorëve të prekur me COVID-19.

Trump: Biden fitoi sepse vota u manipulua

Marrë nga Reuters

Presidenti Donald Trump duket se pohoi të dielën për herë të parë publikisht se rivali i tij demokrat Joe Biden i fitoi zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, por më pas u tërhoq duke thënë se nuk do ta pranojë humbjen.

Ai përsëriti në Twitter pretendimin e tij të pabazuar se vota ishte e manipuluar. “Ai fitoi sepse zgjedhjet u manipuluan,” shkroi Presidenti Trump.

Pak më vonë ai sqaroi: Biden fitoi vetëm në sytë e mediave të rreme, unë nuk pranoj asgjë. Kemi një rrugë të gjatë për të bërë. Unë do të fitoj.

Komentet vijnë një ditë pasi dhjetëra mijëra mbështetës të Presidentit Trump vërshuan në kryeqytetin Uashington për t’i bërë jehonë pretendimeve të tij për mashtrim zgjedhor.

Dje, autokolona e Presidentit kaloi nëpër turmën e njerëzve gjatë rrugës për tek fusha e tij e golfit, duke u përshëndetur me brohoritje nga demonstruesit. Pas kthimit në Uashington, autokolona përsëri u përshëndet me thirrje nga mbështetësit e tij, njoftoi televizioni Fox News.

Marshimi ishte kryesisht paqësor, por pasi u err, midis mbështetësve të presidentit Trump dhe antiprotestuesve pati përplasje të shumta. Një person u godit me thikë dhe 20 persona u arrestuan. Dy policë u plagosën.

Ekipi i zotit Trump ka ngritur padi që kërkojnë të përmbysin rezultatin në disa shtete, megjithëse pa sukses, dhe ekspertët ligjorë thonë se sfidat gjyqësore kanë pak shans për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Nga ana e tij, Presidenti i zgjedhur Joe Biden, pritet të vazhdojë edhe sot privatisht takimet me këshilltarët rreth ndërtimit të kabinetit të ardhshëm dhe politikat që do të ndjekë pas betimit në 20 janar.

zëri i amerikës

Përleshje gjatë natës në Uashington DC midis militantëve pro Trump dhe grupeve antifashiste

VOAL – Përleshje gjatë natës në Uashington DC midis militantëve pro Trump dhe grupeve antifashiste. Policia ndërhyri në zona të ndryshme të qendrës për të ndarë fraksionet rivale dhe për të zbutur tensionin. Tani për tani, megjithatë, nuk është raportuar asnjë episod të dhunës serioze.

Përplasjet u paraprinë nga një njoftim pandemik nga vetë Trump në të cilin ai së pari evokoi mundësinë e humbjes së zgjedhjeve. Megjithatë, tani për tani presidenti nuk ka ndërmend të heqë dorë nga beteja e tij ligjore për votën, megjithë pengesat në rritje ligjore, nga Michigan në Pennsylvania. Ai duhet ta mbajë bazën e tij të galvanizuar, edhe për të parandaluar një humbje në votimin e Xhorxhias në fillim të janarit që çon në kalimin e Senatit në duart e demokratëve, duke hapur rrugën për axhendën e Joe Biden.

Për këtë arsye, duke lënë Shtëpinë e Bardhë për të luajtur golf, ai i lejoi vetes një banjë turme në limuzinë të blinduar presidenciale, siç bëri kur u shtrua në spital për Covid në Walter Reed.

“Donald” përshëndeti mbështetësit e tij të buzëqeshur nga dritaret, të cilët fjalë për fjalë hynë në një furi ndërsa ai kalonte, me flamuj, parulla, brohoritje dhe brohoritje.

Ndërkohë, Presidenti i zgjedhur Joe Biden vazhdon të punojë me ekipin e tij në tranzicion në ekipin qeveritar dhe nuk përjashton mundësinë e mbështetjes nga disa senatorë të moderuar Republikanë për të përparuar axhendën e tij. ATS

Pas protestës pro-Trump në Washington, përleshje mes grupeve kundërshtare

 

Washington DC

Pas protestës pro presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, në orët e mbrëmjes në Washington ndodhën përleshje mes grupeve kundërshtare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në rrugët e Washingtonit erdh deri tek trazirat pas protestave ku qindra mijëra njerëz morën pjesë për të mbështetur Trumpin dhe për të protestuar kundër rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 3 nëntor.

Mbështetësit e Trumpit u përballën në një zonë pranë Shtëpisë së Bardhë me disa grupe të tillë si “Black Lives Matter-BLM” (Jeta e afroamerikanëve është e rëndësishme) dhe Antifa.

Krahas grindjeve verbale mes grupeve u vërejt se në disa pika u shënuan përleshje me përmasa të vogla. Në mediat sociale janë paraqitur pamje që tregojnë se në ngjarje është goditur me thikë një afroamerikan.

Bëhet e ditur se policia e kryeqytetit ka ndërhyrë menjëherë duke ndarë grupet dhe duke arrestuar 10 persona.

Gjatë ditës mbështetësit e Trumpit mbajtën në Washington marshimin “Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe”, “Milion MAGA” (Make Amerika Great Again).

Ndërkohë edhe Trumpi ka falënderuar duke përshëndetur me dorë autokolonën me protestuesit që rrethonin Freedom Plaza.

Një pjesë e protestuesve pas fjalimeve të mbajtura kaluan në marshim drejt Gjykatës së Lartë.

Turma e mbledhur para Gjykatës së Lartë të SHBA-ve, me kapela dhe bluza me mbishkrimin MAGA dhe me flamuj në dorë brohoritën me sloganet pro Trumpit dhe bënë thirrje për zgjedhje të drejta dhe të pavarura.

Dhjetëra mijëra mbështetës të Trumpit protestuan në Uashington

Një javë pasi demokrati, Joe Biden, fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA, dhjetëra mijëra mbështetës të presidentit, Donald Trump, marshuan në Uashington, për të protestuar ndaj rezultateve, dhe për t’i bërë jehonë pretendimeve të tij – të pabazuara – për mashtrim zgjedhor.

Duke mbajtur flamuj dhe të veshur me kapele të stolisura me parullën e Trumpit “Make America Great Again – MAGA” (fraza e presidentit: E bëjmë Amerikën përsëri të madhërishme), demonstruesit marshuan nga një shesh afër Shtëpisë së Bardhë deri te Gjykata Supreme. Njerëzit brohorisnin “USA, USA” dhe “katër vjet më shumë” dhe mbanin shenja që shprehnin pakënaqësi me procesin e votimit.

Organizimi i protestës ishte promovuar shumë në mediat sociale dhe tërhoqi njerëz nga i gjithë vendi.

Trump shkroi në Twitter në lidhje me marshimin. Ai akuzoi mediat se nuk e kanë mbuluar atë. Në fillim të ditës ai kaloi para marshuesve me autokolonën e tij, duke buzëqeshur dhe duke i përshendetur. Trump po shkonte për të luajtur golf.

Marshimi, i cili përfshiu anëtarët e grupit të ekstremit të djathtë “Proud Boys” (Djemtë Krenarë), ishte kryesisht paqësor gjatë ditës, por natën disa kundër-demonstrues dolën në rrugë dhe iu drejtuan mbështetësve të Trumpit me thirrjet: “Ju keni humbur!”.

Demonstrata kundër fitores së ngushtë të Bidenit, u mbajtën më 14 nëntor edhe në Florida, Miçigan dhe Arizona. Biden është projektuar si fitues i zgjedhjeve të 3 nëntorit bazuar në fitoret në mjaft shtete duke siguruar më shumë se 270 vota të Kolegjit Zgjedhor. Por, Trump ende nuk e ka pranuar rezultatin.

Ai dhe ekipi i tij ligjor kanë filluar një sërë sfidash ligjore, pavarësisht se zyrtarët e zgjedhjeve në të gjithë vendin kanë thënë se ata nuk panë prova të parregullsive serioze. Trump ende nuk e ka mbajtur fjalimin e zakonshëm të humbjes, dhe është zotuar të vazhdojë me kundërshtimin. Avokatët e tij kanë filluar një seri betejash të ashpra ligjore kundër rezultateve në disa shtete dhe deri më tani nuk kanë arritur ndonjë sukses.

Për të siguruar rizgjedhjen, Trump do të duhet të përmbysë epërsinë e Biden në disa shtete, një rezultat që shumica e analistëve thonë se nuk ka shumë gjasa të ndodhë. Fushata e Trump megjithatë shënoi një fitore ligjore më 14 nëntor kur një gjykatës i Pensilvanisë urdhëroi qarqet të mos numërojnë një numër të vogël të fletëvotimeve me postë, ose të rasteve kur votuesi nuk paraqiti identifikimin e vlefshëm në kohë.

Numri i fletëve të votimit besohet të jetë disa mijëra, të cilat janë shumë pak për të ndryshuar rezultatin në Pensilvani, ku Biden mban një epërsi prej rreth 55,000 votash. Gjykatat në Pensilvani dhe dy shtete të tjera – Arizona dhe Miçigan – kanë hedhur poshtë padi të tjera. Zyrtarët e lartë federalë dhe shtetërorë, përgjegjës për sigurinë e zgjedhjeve thanë më 12 nëntor se nuk kishte “asnjë provë” që votat në ndonjë mënyrë ishin të komprometuara ose të ndryshuara.

Rrjetet televizive amerikane më 13 nëntor parashikuan rezultatet në dy shtetet e fundit të padeklaruara, duke thënë se Biden fitoi Xhorxhian në një garë jashtëzakonisht të afërt, dhe Trump siguroi fitore në Karolinën e Veriut.

Nëse rezultatet nga Xhorxhia qëndrojnë, Biden do të ketë një epërsi të gjerë 306-232 ndaj Trump në Kolegjin Zgjedhor. rel

Përpjekjet ligjore të ekipit elektoral të Presidentit Trump

Masood Farivar

Përpjekjet ligjore të Presidentit Donald Trump për të zhbërë fitoren e projektuar të demokratit Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit, u zbehën të premten ndërsa gjykatat refuzuan akuzat për parregullsi në votim dhe për mashtrim.

Një gjykatës në Miçigan refuzoi një kërkesë të mbështetësve të Partisë Republikane për të parandaluar çertifikimin e rezultatit zgjedhor në zonën përgjithësisht demokrate të Detroidit, duke ulur kështu edhe shanset për një padi tjetër të ngjashme të paraqitur nga ekipi elektoral i Presidentit Trump.

Në Pensilvani, një tjetër gjykatës refuzoi disa padi të ekipit elektoral të Presidentit Trump për vlefshmërinë e disa mijëra votave të ardhura me postë. Ndërkohë në Arizona, ekipi elektoral i Presidentit Trump tërhoqi padinë për rezultatin zgjedhor duke pranuar kështu se avantazhi i zotit Biden ishte shumë i madh për t’u tejkaluar.

Këto tre shtete janë ndër gjashtë shtetet ku Presidenti Trump dhe mbështetësit e tij kanë paraqitur padi gjyqësore për rezultatet ndërsa projeksionet tregonin se zoti Biden kishte fituar bindshëm zgjedhjet, duke siguruar mjaftueshëm mbi 270 votat e Kolegjit Elektoral që nevojiten për të pretenduar fitoren.

Mbështetësit e Presidentit Trump duke protestuar në Uashington

Mbështetësit e Presidentit Trump duke protestuar në Uashington

Sfidat ligjore

Presidenti Trump, i cili ende nuk e ka pranuar fitoren e zotit Biden, është angazhuar në një betejë padish të dyshimta ligjore dhe pretendime të pabazuara në mediat sociale, në një përpjekje të sforcuar për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve. Të marra së bashku, zhvillimet e fundit nuk shkojnë në favor të shanseve të Presidentit Trump për të fituar zgjedhjet nëpërmjet pretendimeve të pabazuara për manipulime në masë, thonë ekspertët.

“Mendoj se këto padi mund të kuptohen më mirë si mënyrat me të cilat presidenti po komunikon me bazën e tij, se ai kundërshton rezultatin e zgjedhjeve dhe se vazhdon përpjekjen për të luftuar për përmbysjen e rezultateve”, thotë Louis Caldera, profesor i asociuar i jurisprudencës në Kolegjin Juridik të Uashingtonit në Universitetin Amerikan.

Ai shtoi se kjo nuk ishte “një përpjekje serioze për të ndryshuar në të vërtetë rezultatin e votimit në një numër të mjaftueshëm shtetesh që të ishin në gjendje të grumbullonin votat e Kolegjit Zgjedhor që do të ishte e nevojshme që ai të fitonte zgjedhjet”.

Procesi gjyqësor i Miçiganit, i paraqitur të dielën nga një grup konservator, kërkoi që të skualifikoheshin qindra mijëra fletëvotime në Qarkun Wayne për shkak të mashtrimit të pretenduar dhe parregullsive të votimit. Sipas rezultateve jozyrtare, gati 73% e 565’484 votave në Qarkun Wayne shkuan për zotin Biden. Paditësit i kërkuan gjykatësit të urdhërojë një kontroll të pavarur dhe një palë zgjedhje krejtësisht të reja.

Por Kryetari i Gjykatës i distriktit të 3-të në Qarkun Wayne, Timothy Kenny, vendosi se pretendimet për “veprimtari të mbrapshta manipulimi që ndodhin haptazi…si dhe nën petkun e errësirës” u kundërshtuan nga vëzhgues të tjerë dhe zyrtarët e tjerë zgjedhorë, ndër ta edhe një ish-zyrtar “shumë i respektuar” i zgjedhjeve.

Ndalimi i procesit të çertifikimit tani do të përbënte “një ushtrim të paparë të aktivizmit gjyqësor”, shkruajti zoti Kenny në vendimin e tij, ndërsa kryerja e një kontrolli të pavarur do të vononte përpilimin e votave dhe “minonte besimin në sistemin zgjedhor”.

Një punonjëse e bashkisë mbledh votat me postë në një zonë të caktuar për njerëzit që dorëzojnë votën nga makina (Qarku Clark, Las Vegas, 2 nëntor 2020)

Një punonjëse e bashkisë mbledh votat me postë në një zonë të caktuar për njerëzit që dorëzojnë votën nga makina (Qarku Clark, Las Vegas, 2 nëntor 2020)

Vota elektorale

Ndërsa sfidat ligjore të Presidentit Trump janë duke u lëkundur, një numër aktivistësh konsevatorë të afërt me presidentin kanë hedhur idenë se legjislaturat shtetërore të kontrolluara nga republikanët mund të refuzojnë votën popullore dhe të japin votën e Kolegjit Elektoral për Presidentin Trump.

Ideja u theksua edhe më shumë javën e kaluar pasi gazetari i rrjetit “Fox News” Mark Levin u bëri thirrje ligjvënësve republikanë që, “bëhuni gati dhe bëjeni detyrën tuaj kushtetuese”, ndërsa u kujtoi atyre se Artikulli II i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara u jep atyre “fjalën e fundit” për zgjedhjen e anëtarëve të Kolegjit Elektoral.

Kur amerikanët hedhin votën e tyre në zgjedhjet e përgjithshme, ata nuk po votojnë për vetë kandidatët, por më tepër për anëtarët e Kolegjit Zgjedhor.

Neni II i Kushtetutës u jep legjislaturave të shteteve fuqinë për të përcaktuar “mënyrën” e emërimit të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, organi që zgjedh presidentin. Pra, janë 538 anëtarë të Kolegjit Zgjedhor që zgjedhin presidentin, që korrespondon me numrin e anëtarëve të Kongresit.

Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor mblidhen me 14 dhjetor për të votuar për fituesin e votës popullore në shtetin e tyre. Duke supozuar se ata respektojnë vullnetin e votuesve në shtetet e tyre përkatëse, zoti Biden ka siguruar 290 vota elektorale, 20 më shumë se minimumi i kërkuar për të fituar presidencën, sipas shifrave të Zërit të Amerikës. Presidenti Trump ka fituar 232.

I pyetur në kanalin televiziv “Fox News” më 6 nëntor lidhur me perspektivën e ligjvënësve republikanë në Pensilvani për të zgjedhur anëtarë të Kolegjit Elektoral që mbështesin zotin Trump, Senatori republikan Lindsey Graham i Karolinës së Jugut, një aleat i ngushtë i Presidentit Trump dhe kryetar i Komisionit Juridik të Senatit, tha “mendoj se gjithçka duhet të jetë në tryezë.”

Ndërsa nuk e përjashtojnë si mundësi, ekspertët ligjorë thonë se gjasat që legjislaturat shtetërore të kërkojnë të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve mbeten të vogla.

Kjo për faktin se Kushtetuta nuk përcakton që anëtarët e Kolegjit Elektoral duhet të zgjidhen në bazë të votës popullore. Prej mbi një shekulli, të 50 shtetet amerikane kanë zgjedhur anëtarët e Kolegjit Elektoral përmes zgjedhjeve popullore.

Suvenire nga mbështetësit e sistemit të Kolegjit Elektoral gjatë Konventës Republikane

Suvenire nga mbështetësit e sistemit të Kolegjit Elektoral gjatë Konventës Republikane

Veprimi legjislativ

Për t’i dhënë votat elektorale zotit Trump, legjislaturat në shtetet fushëbetejë, me mbështetjen e guvernatorëve, duhet të ndryshojnë ligjet për emërimin e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor.

“Thjeshtë të thuash se do të emërojmë republikanë si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, pa ndryshuar ligjin e atij shteti, do të nënkuptonte veprime në shkelje të ligjit të atij shteti”, thotë profesori i ligjeve Louis Caldera. “Nga ana tjetër, demokratët do të thonin se veprimi i ndërmarrë nga legjislatura shkel ligjin e shtetit, dhe ata do të kërkonin që gjykata të shqyrtojë këto veprime.”

Nga gjashtë shtetet ku republikanët kanë sfiduar votimet, tre prej tyre, Miçigani, Pensilvania dhe Uiskonsin, kanë legjislatura të kontrolluara nga republikanët dhe guvernatorë demokratë.

Ekspertë të tjerë ligjorë thonë se çdo ndryshim në metodën e emërimit do të duhej bërë përpara dhe jo pas zgjedhjeve.

“Legjislatura ka gjithmonë të drejtën për të bërë ndryshime për herën tjetër, por nuk mundet, të paktën pa shkelur klauzolën e procesit të rregullt të Kushtetutës – të zhbëjë emërimin e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor që është bërë tashmë,” shkruan në një hulumtim mbi ligjet Edward Foley, ekspert për ligjin zgjedhor dhe profesor i drejtësisë në Universitetin Shtetëror të Ohajos.

Miçigan, gjykata refuzon padinë e ekipit të Presidentit Trump

Një gjykatë në shtetin Miçigan refuzoi të premten një kërkesë nga mbështetësit e presidentit amerikan Donald Trump për të bllokuar çertifikimin e votave dhe emërimin e një audituesi të pavarur në Detroit, ku u votua në masë pro Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Vendimi shënon një hap prapa për Presidentin Trump dhe republikanët që po përpiqen të përmbysnin fitoren e zotit Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke penguar zyrtarët të vërtetojnë rezultatet e zgjedhjeve.

“Do të ishte një ushtrim i pashembullt i aktivizmit gjyqësor nëse kjo gjykatë ndalon procesin e çertifikimit në qarkun Uejn nga ana e bordit të numërimit të votave,” shkruante Timothy Kenny, kryegjyqtar i Qarkut të Tretë Gjyqësor të Miçiganit që përfshin Detroitin.

Në padinë gjyqësore pretendohej për mashtrim dhe parregullsi në votim, të cilat Qarku i Uejnit i ka mohuar.

Gjyqtari i hodhi poshtë pretendimet, duke shkruar: “Interpretimi i ngjarjeve nga paditësi është i pasaktë dhe jo i besueshëm”.

Ai vuri në dukje se akuzat, të tilla si inkurajim nga punonjës të adminsitratës së qytetit që njerëzit tua jepnin votën demokratëve, nuk mbështeteshin në hollësi të tilla si vendi ose koha kur kishin ndodhur ngjarje të tilla.

Gjyqtari tha gjithashtu se një person që kishte paraqitur dëshmi nën betim, kishte postuar në Facebook para zgjedhjeve pretendimin se demokratët po përdornin pandeminë si mbulesë për të mashtruar në zgjedhje. Kjo sipas gjyqtarit e dëmtonte dëshminë dhe besueshmërinë e personit në fjalë.

Të mërkurën, ekipi i Presidentit Trump ngriti një padi të ngjashme në Gjykatën e Qarkut Perëndimor të Miçiganit.

Fushata dhe republikanët kanë ngritur gjithashtu padi në shtetet Xhorxhia, Pensilvani dhe Uiskonsin me synimin për të bllokuar çertifikimin e rezultateve zgjedhore.

Studiuesit e ligjit kanë thënë se proceset gjyqësore që sfidojnë rezultet e zgjedhjeve janë më të efektshme nëse ngrihen në gjykatat e shteteve e jo të qarqeve dhe se vendimi i Gjykatës së Qarkut Uejn mund të minojë përpjekjet e ekipit të zotit Trump në gjykatën federale.

Miçigani pritet t’i çertifikojë rezultatet më 23 nëntor. zëri i amerikës

Rinumërimi nuk ndryshon rezultatin, Joe Biden fiton Xhorxhian, Trump merr Karolinën e Veriut

Joe Biden tashmë duket se ka vulosur fitoren e tij në SHBA duke marrë edhe shtetin e Georgia-s. Mediat ndërkombëtare me në krye BBC dhe CNN shkruajnë se rezultati nuk ndryshon në fushë-betejën me 16 vota elektorale dhe Biden fiton sërish ndaj Trump duke u bërë demokrati i parë pas 28 vitesh që e merr këtë shtet deçiziv.

Nga ana tjetër Trump ka marrë Karolinën e Veriut dhe me këto rezultate mbyllet dhe përfundimisht gara në SHBA.  Biden në total ka marrë 306 vota elektorale kurse 232. Rinumërimi i votave në Georgia duket se s’ka ndryshuar gjë kurse në Pensilvani nuk do të ketë diçka të tillë.

Biden duket se me të gjitha gjasat betohet në janar si Presidenti i 46-të i SHBA kurse Trump në rast se nuk fiton nëpërmjet Gjykatës së Lartë po mendon të rikandidojë më 2024.bw

Presidenti i zgjedhur Biden konsolidon fitoren

Presidenti i zgjedhur Joe Biden konsolidoi fitoren e tij në zgjedhje duke marrë të enjten vonë shtetin fushëbetejë të Arizonës.

Megjithatë procesi i tranzicionit të administratave mbetet i bllokuar pasi Presidenti Donald Trump refuzon të pranojë humbjen.

Numërimi i votave në Arizona zgjati më shumë se një javë. Zoti Biden bëhet kandidati i dytë demokrat për president në shtatë dekada që fiton në këtë shtet tradicionalisht republikan.

Fitorja e zotit Biden në Arizona i jep atij 290 vota elektorale në Kolegjin Zgjedhor, i cili në SHBA përcakton fituesin.

Ai kishte kaluar tashmë pragun e 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral, për të fituar zgjedhjet. Të 11 votat shtesë të Arizonës e bëjnë edhe më të vështirë çdo sfidë të paraqitur nga Presidenti Trump për të përmbysur rezultatin e përgjithshëm.

Zoti Biden gjithashtu ka një epërsi prej më shumë se 14,000 votash në shtetin Xhorxhias, ku numërimi është në fazat e fundit dhe ku është gati e sigurt se rezultati i përgjithshëm do të qëndrojë në favor të kandidatit demokrat megjithë një rinumërim e votave me dorë që fillon sot.

Në shkallë vendi, zoti Biden ka fituar votën popullore me më shumë se 3.4 për qind ose 5.3 milion vota ndaj rivalit të tij.

Presidenti Trump, pretendon pa paraqitur prova, se në zgjedhjet e 3 nëntorit ka patur mashtrim në shkallë të gjerë, por sfidat e tij ligjore kanë dështuar në gjykatë dhe zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve nuk raportojnë parregullsi serioze.

Për të qëndruar në detyrë për një mandat të dytë, zotit Trump do t’i duhej të përmbyste epërsinë e rivalit të tij në të paktën tre shtete, por në asnjërin prej tyre nuk ka paraqitur prova që të mund ta arrijë këtë.

zëri i amerikës

California, shteti i dytë në SHBA me 1 milion raste me COVID-19

Washington DC

California është bërë shteti i dytë amerikan pas Texas-it që tejkalon 1 milion raste të koronavirusit (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Universiteti Johns Hopkins ka regjistruar 1.000.631 raste në këtë shtet, i cili ka më shumë se 18.100 vdekje.

Texas-i tejkaloi shifrën një milion të mërkurën herët dhe aktualisht ka më shumë se 1.023.000 infeksione dhe mbi 19.400 viktima.

Në javët e fundit, më shumë shtete, si Nevada, Wisconsin, Massachusetts dhe Maryland, kanë nxitur njerëzit të qëndrojnë në shtëpi vullnetarisht.

Rastet e reja të përditshme të koronavirusit në vend kanë vazhduar të lëvizin mbi 100.000 për javën e kaluar, me më shumë se 143.000 të regjistruara të mërkurën.

SHBA vazhdon të jetë vendi më i goditur nga virusi, duke regjistruar më shumë se 10,5 milionë raste dhe mbi 240.000 vdekje.

Mbi 4 milionë njerëz në SHBA janë shëruar nga sëmundja deri tani.

Biden fiton në Arizona

Joe Biden ka fituar zgjedhjet presidenciale në shtetin e Arizonës, raportuan mediat amerikane më 12 nëntor.

NBC, CBS, ABC, dhe CNN e shpallën fitues Bidenin në këtë shtet, i cili ka 11 vota elektorale, pas pothuajse një javë që kur u mbajtën zgjedhjet presidenciale më 3 nëntor.

Me fitoren në Arizona, Biden ka 290 vota elektorale, ndërkaq presidenti amerikan, Donald Trump 217.

Sipas rregullave në SHBA, që një kandidat të zgjidhet president, i duhen 270 vota elektorale.

Fox News dhe The Associated Press më 3 nëntor kishin thënë se Biden do të fitojë në Arizona, që nxiti kritika të ashpra nga Trump.

Deri më 12 nëntor, Biden po printe në Arizona me 49,4 kundrejt 49,1 për qind të votave që kishte Trump.

Fitorja e Bidenit në Arizona përmbush qëllimin e demokratëve që ta fitojnë në këtë shtet, që për shumë vite me radhë kishte qenë nën dominimin e republikanëve.

Demokratët po ashtu kanë fituar ulësen e Senatit, pasi kandidati i tyre në Arizona, Mark Kelly ka mposhtur senatoren Martha McSally.

Biden është bërë kandidati i dytë presidencial amerikan, në shtatë dekada, që ka fituar në Arizona. Për herë të fundit, Bill Clinton kishte fituar në Arizona në zgjedhjet e vitit 1996.

Pavarësisht se Biden më 7 nëntor u shpall fitues i zgjedhjeve, fushata e presidentit Trump ka nisur betejat ligjore për të përmbysur rezultatin në disa shtete, me pretendime të pabazuara se ka pasur mashtrime zgjedhore.

Biden po ashtu prin sa i përket votave popullore. Ai deri më tani ka fituar 5,3 milionë vota.

Aktualisht, për shkak të garës së ngushtë në Xhorxhia dhe Karolinën e Veriut, fituesi në këto dy shtete nuk është shpallur ende. rel

Bashkimi Evropian përgëzon Joe Bidenin

Marrë nga Associated Press

Shefi i politikës së Jashtme, Josep Borrell, përgëzoi për fitoren historike, siç e quajti ai, të dyshes Biden-Harris. Ai shprehu optimizëm për të ardhmen e marrëdhënies SHBA – BE dhe për një tranzicion pushteti pa probleme në Shtetet e Bashkuara.

Bashkimi Evropian të mërkurën tha se priste marrëdhënie më të mira me Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e Presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe shprehu shpresën se tranzicioni presidencial nuk do të ketë probleme.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell përgëzoi ngrohtësisht “Joe Biden-in dhe Nënpresidenten e zgjedhur Kamala Harris për fitoren e tyre historike” dhe tha se blloku prej 27 vendesh priste marrëdhënie më të mira sesa nën drejtimin e Presidentit Donald Trump.

Nuk është sekret që në 4 vitet e fundit gjërat janë ndërlikuar në marrëdhëniet tona“, u tha zoti Borrell ligjvënësve në Parlamentin Evropian.

Të dyja palët, megjithëse aleate të hershme, nuk u pajtuan rreth temave kryesore, si tregtia, siguria dhe lufta kundër ndryshimit të klimës.

BE-ja pritet ta ftojë zotin Biden së shpejti në biseda me videokonferencë në një përpjekje për t’i dhënë një shtysë të re aleancës transatlantike.

Mund t’ju siguroj se ne jemi të gatshëm të angazhohemi shpejt me administratën e re“, tha zoti Borrell.

Por ai gjithashtu aludoi për problemet politike në Shtetet e Bashkuara ku Presidenti Trump ende nuk ka pranuar humbjen.

Zoti Biden po përparon me këmbëngulje me përgatitjet për presidencën e tij.

Ende duhet të presim deri në 20 janar sepse siç e dini shumë mirë është një tranzicion mjaft i gjatë përpara. Le të shpresojmë se nuk do të jetë një tranzicion me probleme“, tha zoti Borrell.

Presidenti Trump ka shtangur dhe zhgënjyer në mënyra të ndryshme evropianët – shumica anëtarë të aleancës ushtarake të NATO-s që udhëhiqet nga Amerika – duke vendosur tarifa për eksportet e BE-së, duke u tërhequr nga marrëveshja e klimës së Parisit dhe marrëveshja bërthamore me Iranin.

Presidenti Trump, heshtje prej një jave para kamerave

Steve Herman

Pasi media amerikane parashikoi fitues demokratin Joe Biden, Presidenti Trump ka qëndruar përgjithësisht në heshtje, përveç postimeve në Twitter ku ka ngritur pretendime për mashtrime të gjera me votat.

Të enjten presidenti postoi në Twitter një koment mbi “zgjedhje të manipuluara”. (Siç ka ndodhur në shumë postime të fundit të presidentit, Twitter vuri një paralajmërim me komentin “Ky pretendim për zgjedhje të manipuluara nuk është i vërtetuar”). Presidenti gjithashtu sulmoi rrjetin televiziv Fox News, një kanal lajmesh që e ka mbështetur fuqishëm gjatë presidencës së tij.

Presidenti Trump nuk ka përmendur pandeminë, ndërkohë që ritmet e përhapjes së infeksionit janë rritur ndjeshëm këtë javë dhe janë shtuar edhe pacientët e shtruar në spitale dhe vdekjet e të sëmurëve me COVID.Këshilltari i lartë i ekipit për rizgjedhjen e presidentit, Corey Lewandowski është njëri nga një numër ndihmësish të afërt të presidentit që kanë rezultuar të infektuar me koronavirus.

Nancy Pelosi and Chuck Schumer hold a press briefing on November 6, 2020

Nancy Pelosi and Chuck Schumer hold a press briefing on November 6, 2020

Në komentet që bëri të enjten, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha “Fjalët janë të fuqishme. Kur presidenti flet, fjalët e tij peshojnë një ton. Kohët e fundit kemi dëgjuar gjëra që janë shumë shqetësuese”. Por “shifrat po ashtu flasin rrjedhshëm,” tha ajo duke iu referuar “shifrave tronditëse për 144,000 infeksione të reja” të regjistruara një ditë më parë.

Për muaj me radhë, kur vazhdonte fushatën për rizgjedhje, Presidenti Trump nuk vazhdoi më të merrte pjesë në mbledhjet e Ekipit të Punës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin. Të hënën, nënpresidenti Mike Pence kryesoi mbledhjen për herë të parë në afro tre javë.

Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë kritikat e demokratëve se Presidenti Trump, i lënduar nga humbja në zgjedhje, ka hequr dorë para kohe nga udhëheqja e vendit.

Trump

Trump

“Plotësisht e pavërtetë,” tha zëvendës zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere për Zërin e Amerikës. “Siç ka premtuar, Presidenti Trump po lufton fuqimisht për zgjedhje të lira e të drejta, ndërkohë që vazhdon detyrat e tij për ta vënë Amerikën në plan të parë. Ai po punon gjithashtu për të realizuar një paketë të efektshme ndihmash ekonomike, duke angazhuar anëtarë të Kongresit për një propozim që ua bën të mundur autoriteteve shtetërore e lokale t’i përgjigjen pandemisë”.

Shtëpia e Bardhë nxori të enjten disa urdhra ekzekutivë të nënshkruar nga presidenti, përfshirë një që ndalon investimet amerikane në firma kineze që kanë lidhje me ushtrinë kineze.

Presidenti Trump u takua për drekë të enjten me nënpresidentin Pence dhe pasdite u takua me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe Sekretarin e Thesarit, Steven Mnuchin, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti, megjithatë, nuk u pa nga gazetarët të enjten. Një ditë më parë, ai mori pjesë në një ceremoni të Ditës së Veteranëve në mot me shi në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, ku ai nuk mbajti fjalim.

Presidenti Trump për herë të fundit foli publikisht më 5 nëntor në sallën e konferencave për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë. Tre kanale kryesore televizive ndërprenë transmetimin e fjalimit të tij kur ai filloi të ngrinte akuza të pabazuara se demokratët po bënin manipulime dhe po përpiqeshin të vidhnin zgjedhjet e 3 nëntorit.

Të enjten ishin mbushur shtatë ditë që nga komentet e 5 nëntorit,koha më e gjatë që Trump ka kaluar pa folur para kamerave gjatë presidencës së tij, sipas faqes së internetit factba.se, që ka bërë një përmbledhje të postimeve të Presidentit Trump në Twitter, fjalimeve dhe politikave të tij.

Agjencia e lajmeve “Associated Press” dhe media të tjera të mëdha, duke përfshirë Zërin e Amerikës, kanë njoftuar se zoti Biden ka marrë më shumë se 270 votat e nevojshme elektorale për të mundur Presidentin Trump, i cili do të mbetet president deri në ditën e inaugurimit më 20 janar.

Presidenti Trump nuk e ka pranuar humbjen dhe ekipi i fushatës së tij ka filluar përpjekjet ligjore në disa shtete për të sfiduar numërimin e votave.

U.S. President-elect Joe Biden speaks about health care and the Affordable Care Act (Obamacare) at the theater serving as his transition headquarters in Wilmington, Delaware, U.S. November 10, 2020.

U.S. President-elect Joe Biden speaks about health care and the Affordable Care Act (Obamacare) at the theater serving as his transition headquarters in Wilmington, Delaware, U.S. November 10, 2020.

Shumica e ligjvënësve republikanë në Kongres duket se vazhdojnë të mbështesin qëndrimin e Presidentit Trump, me vetëm një numër të vogël prej tyre që e kanë njohur zotin Biden si president të zgjedhur të vendit.

Disa senatorë nga partia e presidentit kanë bërë thirrje që zoti Biden të ketë qasje në raportet e nivelit të lartë të shërbimeve të zbulimit, diçka që aktualisht nuk është e mundur sepse Agjencia e Shërbimeve të Përgjithshme nuk e ka çertifikuar zotin Biden si fitues të zgjedhjeve.

Është e zakonshme që presidenti i zgjedhur të ketë qasje në hapësirat e zyrave federale dhe punonjësit e qeverisë dhe të marrë raporte sekrete.

“Kjo është me të vërtetë e rëndësishme. Ndoshta është pjesa më e rëndësishme e tranzicionit”, u tha gazetarëve senatorja republikane Susan Collins të enjten, duke iu referuar zotit Biden si “fitues i dukshëm”.

Disa senatorë të tjerë republikanë pajtohen me këtë vlerësim, por disa ligjvënës kryesorë nuk janë dakord me këtë qasje.

Senate Armed Services Chairman James Inhofe

Senate Armed Services Chairman James Inhofe

“Unë gjithmonë kam besuar që çdo kandidat nuk duhet të përfshihet domosdoshmërisht në ato (qasjen në raportet e inteligjencës) derisa ai person të bëhet president i zgjedhur, dhe ai nuk është president i zgjedhur”, tha senatori republikan James Inhofe.

“Ne thjesht kishim një palë zgjedhje presidenciale përçarëse dhe intensive”, tha të enjten udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, përkrah kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, demokrates Nancy Pelosi. “Por në vend që të punojmë për të bashkuar vendin në mënyrë që të mund të luftojmë armikun tonë të përbashkët, Covid-19, republikanët në Kongres po përhapin teori konspirative, duke mohuar realitetin dhe duke helmuar burimin që ushqen demokracinë tonë.”

Votuesit e Presidentit Trump të dëshpëruar dhe revoltuar përballë fitores së zotit Biden

Marrë nga Associated Press

Kur Joan Martin mësoi se Joe Biden ishte shpallur fitues i zgjedhjeve presidenciale, kjo infermiere në pension dhe mbështetëse e presidentit Donald Trump ishte thellësisht e tronditur. Për t’i dhënë vetes forcë, ajo mendoi se si shtëpia e saj e kaloi uraganin Katrina kur ai goditi qytetin e saj të lindjes Pikajni në Misisipi, në vitin 2005.

Ndërsa stuhia shpërtheu drejt qytetit, zonja Martin doli me shpejtësi në oborrin e shtëpisë së saj për të shpëtuar 85 pulat që mbante. Jashtë, erërat ulëritëse goditën hambarin e familjes, duke shkulur skajet e çatisë.

“Të nesërmen ato (pulat) ishin shumë të shqetësuara nga ndryshimet në oborr, ku kishte pemë të rrëzuara”, tha 79 vjeçarja Martin. “Por brenda dy ditësh, ato e morën veten. Kështu që unë duhet të ndjek shembullin e tyre”.

Në të gjithë vendin, shumë nga 71.9 milionë njerëzit që votuan për Presidentin Trump, veçanërisht baza e tij besnike, po përpiqen ta marrin veten nga emocionet e trazuara pas humbjes së tij. Hidhërimi, zemërimi dhe tronditja janë ndër ndjenjat e shprehura nga mbështetësit që menduan se ai do të shënonte një fitore të fortë.

Ka edhe nga ata që nuk e pranojnë se ka ndodhur. Shumë janë skeptikë ndaj rezultatit, duke thënë se nuk i besojnë shpalljes nga media të zotit Biden fitues të zgjedhjeve, mënyrës sesi zyrtarët e zgjedhjeve numëruan fletëvotimet, të gjithë sistemit të votimit në Amerikë. Pikëpamjet e tyre i bëjnë jehonë pretendimeve të pabazuara të Presidentit Trump që nga dita e zgjedhjeve.

Kjo ndodh pavarësisht faktit se zyrtarët shtetërorë dhe ekspertët e zgjedhjeve thonë se zgjedhjet e vitit 2020 u zhvilluan pa probleme në të gjithë vendin dhe pa parregullsi të përhapura. Presidenti Trump dhe republikanët kanë theksuar probleme të izoluara, por shumë prej tyre shpjegohen me gabime njerëzore. Shumë nga paditë ligjore të ekipit të fushatës së Presidentit Trump janë hedhur poshtë në gjykatë. Dhe me epërsinë e fortë të zotit Biden ndaj Presidentit Trump në shtetet kryesore fushë-betejë, asnjë nga ato probleme nuk do të kishte ndonjë ndikim në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Megjithatë, çdo mundësi e vogël për parregullsi është e mjaftueshme për disa mbështetës të Presidentit Trump. Komentet e tyre paraqesin një sfidë politike për presidentin e zgjedhur: Sa më gjatë që Presidenti Trump hedh dyshime mbi legjitimitetin e fitores së zotit Biden, aq më e vështirë do të jetë për presidentin e ri që të bashkojë vendin, siç ka thënë ai që dëshiron të bëjë. “Në të vërtetë nuk jam i predispozuar për ta pranuar me lehtësi këtë”, tha 39 vjeçari Daniel Echebarria, mësues në Sparks të Nevadës.

Election 2020 Trump Voters

Election 2020 Trump Voters

Zoti Echebarria tha se ishte i befasuar nga rezultatet e zgjedhjeve; ai vë në pikëpyetje disa nga rezultatet dhe do të dëshironte të shihte presidentin të vazhdonte sfidat e tij ligjore. Por ai gjithashtu tha se nuk e konsideron rezultatin “një punë të madhe të manipulimit” dhe nuk dëshiron ta shohë Presidentin Trump të mohojë rezultatet në janar. Megjithatë, ai nuk është gati për të qenë i hapur drejt punës për bashkim.

Zoti Echebarria tha se ai beson se demokratët kurrë nuk i dhanë Presidentit Trump një shans për të qeverisur dhe përmendi hetimin për ndërhyrjen e Rusisë dhe procesin (e dështuar) për shkarkimin e tij si shembuj të pengesave ndaj Presidentit.

“Unë mendoj se presidenti ishte i penguar në përpjekjet për të realizuar shumë pika të axhendës së tij sepse ishte i detyruar të shpenzonte shumë kohë për t’u mbrojtur nga këto sulme”, tha ai.

Disa mbështetës të Presidentit Trump të intervistuar nga agjencia e lajmeve “Associated Press” në ditët e fundit ishin të irrituar nga festimet për fitoren e zotit Biden në qytetet liberale. Ata panë hipokrizi në publik, tubimet përjashta pasi demokratët dënuan mbështetësit e Presidentit Trump për pjesëmarrjen në tubime të mëdha, disa prej të cilave u mbajtën në salla të mbyllura, mes pandemisë së koronavirusit.

“E trishtuar” kështu e përmbledh reagimin e saj Lori Piotrowski. Presidentja e klubit të Grave Republikane të Qytetit Boulder në Nevada në fillim ishte pesimiste ashtu si çdo mbështetës tjetër i Presidentit Trump.

“Njeriu gjithmonë do që kandidati i tij të fitojë. Jam pak e dëshpëruar. Punova shumë për këtë”, tha ajo.

Por zonja Piotrowski gjithashtu e përshkroi veten si “jashtëzakonisht” të befasuar nga rezultati i zgjedhjeve. Ajo po përpiqet të barazpeshojë versionin e saj të fushatës me rezultatet. Ajo thotë se pa shumë imazhe të tubimeve të mëdha të Presidentit Trump në ditët e fundit. Në një udhëtim të fundit nga Las Vegasi në Reno, përmes rajoneve rurale të Nevadës, me prirje republikane, ajo pa vetëm shenja dhe pankarta në mbështetje të Presidentit Trump, thotë ajo.

“Votat nuk pasqyrojnë entuziazmin. Kjo për mua është shumë e habitshme”, tha ajo.

Joe Biden fitoi në Nevada duke marrë shumicën e votave në zonat urbane të shtetit.

Zonja Piotrowski, si shumë mbështetës të tjerë të Presidentit Trump, dëshiron që sfidat ligjore të zotit Trump të vazhdojnë. Një rritje masive e votimit me postë dhe numrimi i tyre më i ngadaltë ka bërë që procesi të duket i paqartë dhe i çuditshëm. Zonja Piotrowski tha se ishte e shqetësuar që fituesi shpallej pavarësisht se kishte një numër të lartë votash ende të panumëruara.

“Thjesht më duket se ka shumë gjëra që mund të përmirësohen në sistem në mënyrë që njerëzit të ndjehen më të sigurtë”, tha ajo.

Ajo theksoi se nuk ka dëgjuar asnjë nga fjalimet e zotit Biden që nga dita e zgjedhjeve.

Za Awng nga Aurora e Kolorados ka gjithashtu dyshime për procesin e numërimit të votave.

Awng, i cili erdhi në Shtetet e Bashkuara si refugjat nga Mianmari, e ka përqafuar Presidentin Trump si një politikan që i bën jehonë bindjes së tij se ndikimi i Kinës në botë duhet të kufizohet ashpër dhe ai ndan vlerat e tij të krishtera.

Këtë pranverë, Awng humbi punën e tij si kuzhinier për dy muaj kur pandemia detyroi mbylljen e restorantit ku ai punon. I kthyer në punë tani, ai thotë se falë angazhimit të madh të Presidentit Trump gjatë katër viteve të fundit ekonomia e vendit është përmirësuar. Ishte e vështirë për të që të kuptonte se si presidenti mund të humbiste zgjedhjet.

“Unë besoj se diçka nuk është në rregull”, tha ai, duke përmendur prirjen e rezultateve drejt demokratëve, pas numërimit të votave me postë. Demokratët kishin më shumë prirje se sa republikanët të votonin me postë pasi Presidenti Trump deklaroi pa dhënë fakte se votimi me postë ishte objekt i lehtë manipulimi.

“Shpresoj se do të ketë përsëritje të numërimit dhe mbase do të ndryshojë (rezultati)”, tha ai.

Edhe në kohë më pak të tensionuara, Jim Czebiniak kërkon ngushëllim në orët e lutjes në mbrëmje. Kështu që kur Czebiniak, një mbështetës i zjarrtë i Presidentit Trump që jeton në Knoks të Nju Jorkut, dëgjoi se Biden ishte shpallur fitues, ai u kthye te besimi i tij në kërkim të një përgjigjeje.

“Unë pyeta Zoti se pse po ndodh kjo? Zoti tha,” Sepse unë jam duke punuar në gjëra (të ndryshme). Vetëm relaksohuni dhe lërini gjërat të funksionojnë vetë”, tha 72 vjeçari Czebiniak, i cili është gjysmë i pensionuar nga puna e tij si programues kompjuterash.

“Do ta citoj këngëtarin e Rolling Stones, Mick Jagger:” Ju nuk mund të merrni gjithmonë atë që dëshironi,” tha Czebiniak.

Megjithatë, zoti Czebiniak tha se ai është larg gatishmërisë për të pranuar presidencën e zotit Biden. Ai citoi disa pretendime të pabazuara të ekipit të fushatës zgjedhore të Presidentit Trump.

“Në të vërtetë rezultati i zgjedhjeve ende nuk është shpallur”, tha zoti Czebiniak, disa ditë pasi të gjitha kanalet kryesore televizive të Shteteve të Bashkuara dhe Associated Press analizuan numërimin e votave në shtetet fushë-betejë para se të shpallnin zotin Biden fituesin të zgjedhjeve. “Unë nuk besoj në asgjë që po ndodh me numërimin e votave.”

Ndryshe nga shumë mbështetës të Presidentit Trump, Michelle Sassouni nuk u trondit nga rezultati i zgjedhjeve ose pasojat.

29-vjeçarja nga qyteti i Tampas në Florida, është anëtare aktive e Klubit të Republikanëve të Rinj në rajon dhe bashkë-drejtuese e programit “Mesatarisht i zemëruar”. Ajo përmendi idenë e emërimit të zotit Biden si kandidat të demokratëve për president dhe potencialin e tij për të fituar, muaj më parë.

“Të gjithë qeshën me mua në shfaqje”, tha ajo. Bashkë me shumë miq liberalë, ajo kishte parë kundërshtimin e fortë ndaj Presidentit Trump. Ajo madje disi e kupton këtë. “Nuk më pëlqen gjithçka që ai bën, por unë votova për të sepse unë jam republikane”.

Por Michelle Sassouni nuk sheh rrezik në zotimin e zotit Trump për të luftuar rezultatet në gjykatë. Njerëzit duhet të sigurohen për rezultatet dhe një luftë në gjykatë mund t’u japë atyre besim, tha ajo.

“Nëse keni votuar për Joe Bidenin, a nuk do të dëshironi të dini se ai fitoi në mënyrë të ndershme në mënyrë që ai të mos kishte këtë hije mbi kokë?” pyeti ajo. “Nëse gjysma e vendit beson se ka patur një lloj manipulimi zgjedhor, atëherë kjo krijon mosbesim në sistem, që më pas krijon mosbesim në demokracinë perëndimore në tërësi.”

Martin, pensionistja nga Misisipi, thotë se ajo po planifikon të rifillojë jetën e saj të përditshme, duke u kujdesur për kafshët shtëpiake dhe duke shmangur bisedat për ndryshimin e udhëheqjes së vendit si një mënyrë për të përballuar stresin dhe tronditjen që ndjen.

“Unë do të dal në oborr për t’u kujdesur për pulat e mia, për të kënduar himnet e mia të vjetra dhe për të kaluar kohën”, tha ajo.

Trump synon të bllokojë çertifikimin e rezultatit në Pensilvani

Patsy Widakuswara

Zyrtarët e fushatës së Presidentit Donald Trump nisën një përpjekje të re ligjore këtë javë që synon të pengojë çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në shtetin e Pensilvanisë, ndërsa presidenti vazhdon të refuzojë fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Në Ditën e Veteranëve, Presidenti Donald Trump vuri një kurorë me lule në varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit ndërsa Presidenti i zgjedhur Joe Biden vizitoi memorialin e të rënëve në Luftën e Koresë që ndodhet në Filadelfia.

Si zoti Trump ashtu edhe zoti Biden nuk bënë asnjë koment. Zoti Trump refuzon të pranojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit që parashkon zotin Biden si fitues. Në një postim në twitter Presidenti shkruante: “ne do të fitojmë”.

Me fitoren e zotit Trump në shtetin e Alaskës ai ka tashmë 217 vota elektorale, ndërsa zoti Biden 279. Për t’u shpallur fitues një kandidati i duhen minimalisht 270 vota elektorale. Numërimi nuk ka përfunduar ende në tre shtete, Arizona, Xhorxhia dhe Karolina e Veriut.

Krahas padive të ndryshme ligjore të paraqitura tashmë në disa shtete kyçe me pretendimin për manipulime me votat, zyrtarët e fushatës së zotit Trump kanë nisur një proces të ri gjyqësor që synon të bllokojë çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në Pensilvani.

Është e mundur që nëse krijojnë shumë tymnajë dhe hedhin mjaftueshëm akuza e nxisin pasiguri, ata mund të bindin potencialisht institucionet legjislative të kontrolluara nga republikanët të caktojnë një grup rival anëtarësh të kolegjit zgjedhor, në kundërshtim me rezultatin e votimit në atë shtet. Ky do të ishte një hap jashtëzakonisht ekstrem. Do të ishte vërtet një grusht shteti kundër popullit amerikan dhe një shkatërrim i procesit demokratik”, thotë Paul Schiff Bergman, i universitetit George Washington

Ndërkohë dy shtete po shkojnë drejt rinumërimit, Uiskonsin dhe Xhorxhia.

Një rezultat kaq i ngushtë, do të kërkojë një rinumërim të plotë me dorë në secilin qark. Kjo do të ndihmonte në krijimin e besimit. Do t’i kryejmë të gjitha në një, kontrollin, rinumërimin dhe rivlerësimin e votave“, thotë Brad Raffensperger, Sekretari Shteti i Xhorxhas.

Ekipi elektoral i zotit Trump e përshendeti vendimin. Drejtori i fushatës për komunikimin Tim Murtaugh tha se “ky është një hap i parë i rëndësishëm në proces për të siguruar që zgjedhjet ishin të drejta dhe se çdo votë e ligjshme do të numërohet”.

Deri më tani asnjë nga paditë ligjore të ngritura nga zyrtarët e fushatës së zotit Trump nuk kanë arritur të sigurojnë prova lidhur me pretendimin për mashtrime gjatë procesit të numërimit, diçka që demokratët janë të etur ta theksojnë.

Ka kaluar një javë dhe presidenti është ende në kërkim të dëshpëruar për prova për manipulim. Ai nuk do t’i gjejë, sepse nuk ekzistojnë“, thotë Chris Murphy, Senator demokrat.

Edhe nëse zoti Trump do të shënojë sukses me disa prej proceseve gjyqësore apo me kërkesat për rinumërim, analistët thonë se kjo nuk ka gjasa të përmbysë fitoren e zotit Biden.

Duket i arsyeshëm përfundimi në të cilin ka arritur media, si ajo e krahut të majtë apo e djathtë, se është e pamundur që zoti Trump të kompensojë defiçitin me të cilin përballet tashmë në shtetet kyçe si Pensilvania, Miçigani, Uiskonsin dhe Nevada“, thotë Rob Stutzman, ekspert i politikave republikane.

Sipas ligjit, anëtarët e kolegjit zgjedhor të çdo shteti duhet të votojnë zyrtarisht për presidentin dhe nënpresidentin në mesin e muajit dhjetor.

Republikanët marrin gjysmën e vendeve të Senatit

Senatori republikan nga Alaska, Dan Sullivan, u rizgjodh të mërkurën, duke i siguruar partisë së tij të paktën 50 nga 100 vendet e senatit për dy vitet e ardhshme, ndërsa kontrolli i dhomës mbetet i paqartë deri pas shpalljes së rezultateve të balotazhit të Xhorxhias në janar.

Pas numërimit të ngadaltë të votave në shtetin më veriperëndimor të ShBA-së, agjencitë e lajmeve erdhën në përfundim se zoti Sullivan ka një epërsi të pakapërcyeshme ndaj Al Gross, kirurgut ortopedik që garoi si kandidat i pavarur me mbështetjen e demokratëve. Rezultatet e nxjerrin pëpara senatorin Sullivan me një diferencë prej 20 përqind.

Sigurimi i gjysmës së vendeve në Senat nga republikanët, shton vëmendjen në garat e balotazhit që mbahen më 5 janar në shtetin jugor të Xhorxhias.

Ligjvënësit konservator republikan, seantori David Perdue dhe Kelly Loeffler, që aktualisht mbajnë dy vendet, nuk arritën të fitojnë mbi 50 për qind të votave, duke u detyruar të përballen në balotazh.

Zoti Perdue përballet me demokratin Jon Ossoff, një gazetar hulumtues i cili humbi me rezultat të ngushtë garën e vitit 2017 për një vend në Dhomën e Përfaqësuesve, përpara se të garonte me zotin Perdue për një vend në Senat.

Zonja Loeffler, e cila u zgjodh senatore në fillim të vitit 2020, po përballet me Raphael Warnock, një demokrat progresiv i cili është pastor në Kishën Baptiste Ebenezer në Atlanta.

Në garën për këtë vend morrën pjesë më shumë se dy kandidatë. Zoti Warnock siguroi numrin më të madh të votave, por nuk e kaloi 50 përqindëshin e nevojshëm për të fituar. Zonja Loeffler ishte e dyta. Balotazhi mes tyre do të zhvillohet më 5 janar.

Edhe në garën tjetër, zoti Perdue udhëhoqi me rezultat të ngushtë ndaj zotit Ossof, por votat që fitoi një kandidat i tretë nuk i lejuan asnjerit prej tyre të siguronte 50 përqindëshin e duhur.

Nga rezultatet e deritanishme, demokratët do të kenë 48 vende në Senat, një më shumë sesa kanë tani. Nga zgjedhjet e 3 nëntorit ata humbën një dhe fituan dy vende.

Nëse republikanët fitojnë një, ose të dy garat e Xhorxhias, ata sigurojnë shumicën në Senat për dy vitetet e ardhshme. Por nëse kandidatët demokratë Ossoff dhe Warnock fitojnë të dyja vendet, Senati do të ndahej 50-50 midis republikanëve dhe demokratëve.

Nëse ndodhë kjo, vota vendimtare hidhet nga nënpresidenti, pra në rastin konkret nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris. Demokratët do të ishin në gjendje të siguronin kryesimin e të gjitha komisioneve të Senatit që merren me legjislacionin dhe miratimin e emërimeve të presidentit për në postet kryesore të qeverisë dhe gjykatat federale.

Një shumicë e tillë legjislative, nëse demokratët votojnë si një bllok, do t’i jepte Presidentit të zgjedhur Joe Biden shansin për të miratuar agjendën e tij legjislative për një mori çështjesh.

Por nëse republikanët mbajnë kontrollin e Senatit dhe me demokratët që tashmë kanë siguruar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, administratës së ardhme të zotit Biden do t’i duhej të negocionte gjerësisht për çështje të diskutueshme si taksat, imigracioni, kujdesi shëndetësor dhe çështje të tjera. zëri i amerikës

Për disa votues hispanikë, politikat e Trumpit ndihmuan në diferencën e ngushtë të garës

Brian Padden

Megjithëse është parashikuar të humbasë zgjedhjet, Presidenti Donald Trump e bëri garën më të ngushtë nga sa ç’pritej, pjesërisht duke fituar këtë herë një përqindje më të lartë të votave të pakicave, veçanërisht mes popullsisë latino dhe hispanike në rritje, krahasuar me vitin 2016.

Rritja e votës së hispanikëve për Trump-in, nga 28% në vitin 2016 në 32% në nivel kombëtar këtë vit, sipas rezultateve të sondazheve, hodhi poshtë parashikimin e shumë demokratëve se latino-amerikanët do të votonin në shumicë dërrmuese kundër Trump-it, bazuar thjesht në retorikën dhe politikat e tij të ashpra anti-emigrantëve.

“Mendoj se në të ardhmen, duhet ta analizojmë më hollësisht votën e latino-amerikanëve. Nuk votojnë si një grup i vetëm,” tha Elaine Kamarck, një analiste politike në Institutin Brookings.

Vlerat republikane

Pavarësisht përmirësimit të mbështetjes në favor të Trump-it, latino-amerikanët mbështetën Bidenin (afërsisht 2-me-1). Shumë prej tyre shprehën kundërshtim të fortë ndaj politikës së administratës Trump për ndarjen e fëmijëve emigrantë nga familjet e tyre në kufirin SHBA-Meksikë.

Sidoqoftë, votuesit hispanikë janë në pjesën dërrmuese katolikë ose të krishterë konservatorë. Shumë prej tyre janë dakord me presidentin Trump dhe Partinë Republikane për martesat e homoseksualëve dhe abortin.

“Unë jam pro jetës dhe kjo është një nga arsyet që kam votuar për Donald Trump-in”, tha Maria Posada, një inxhiniere me origjinë meksikane, e cila ka lindur në Teksas.

FILE - A woman holds a sign reading in English, "Latinos For Trump" at the Republican National Convention in Cleveland, Ohio.

FILE – A woman holds a sign reading in English, “Latinos For Trump” at the Republican National Convention in Cleveland, Ohio.

Disa hispanikë konservatorë gjithashtu pëlqyen iniciativat e Trumpit pro-biznesit, uljen e taksave federale dhe zbutjen e rregulloreve të qeverisë dhe nuk i përfillën premtimet e përsëritura të demokratëve për rritjen e pagave, zgjerimin e qasjes në kujdesin shëndetësor dhe për të rregulluar sistemin e prishur të emigracionit në Shtetet e Bashkuara.

“Ne latinot besojmë se, pavarësisht se çfarë thonë, demokratët nuk do t’i mbajnë premtimet e tyre”, tha Nelson Reynaldo, një kontraktor në Virxhinia, që ka ardhur nga El Salvadori.

Florida and Teksasi

Një rritje e mbështetjes së pakicës latine ndihmoi Trump-in të fitojë shtetin e Floridës me mbi 51% të votave, duke sfiduar disa sondazhe para-zgjedhore që e vinin zotin Biden përpara me deri në pesë për qind diferencë.

Shumë amerikanë me origjinë kubane dhe venezueliane u larguan nga këto vende që i konsiderojnë se u shkatërruan nga politikat socialiste.

Kufizimet e ashpra tregtare të presidentit Trump të vendosura ndaj Kubës komuniste dhe përpjekjet për të rrëzuar nga pushteti udhëheqësin socialist të Venezuelës Nicolas Maduro u pëlqyen nga shumë votues kubano-amerikanë dhe venezueliano-amerikanë në Majami.

Përpjekjet e fushatës së presidentit Trump për t’i portretizuar demokratët si socialistë mund të kenë “mobilizuar shumë kubano-amerikanë”, thotë Sergio Garcia-Rios, një profesor i studimeve latino-amerikane në Universitetin Cornell.

Joe Biden, senator për një kohë të gjatë dhe ish-nënpresident gjatë dy mandateve të Presidentit Barack Obama, konsiderohet si një politikan i moderuar. Por disa progresistë në Partinë e tij Demokrate kanë përqafuar idetë e socialistëve demokratë duke bërë thirrje për programe të mëdha të financuara nga qeveria për të zgjeruar kujdesin shëndetësor dhe për të luftuar ngrohjen globale.

Sipas sondazheve, rreth 55% e votave të kubano-amerikanëve në Florida shkuan për presidentin Trump, së bashku me 30% të portorikanëve. Në vitin 2016, zoti Trump fitoi vetëm katër nga 10 vota të pakicës latino-amerikane në këtë shtet në garën e tij kundër rivales demokrate Hillary Clinton.

Disa mbështetës latino-amerikanë thonë se zoti Biden e la pas dore Floridën për pjesën më të madhe të fushatës, ndërsa zoti Trump mbajti tubime të shumta në këtë shtet, që shumë vëzhgues politikë e konsideruan si një “fitore të domosdoshme” për Trumpin por me më pak rëndësi për rrugën e Bidenit drejt Shtëpisë së Bardhë.

“Biden me të vërtetë ishte i vonuar,” tha Claudia Ruiz, një analiste e politikave me UnidosUS, organizata më e madhe në vend për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit latino-amerikan.

Ekipi i fushatës së zotit Biden ka kundërshtuar javët e kaluara kritikat nga disa demokratë se nuk u përqëndrua sa duhet tek ky komunitet.

Trump gjithashtu fitoi bindshëm në Teksas me mbi 52% të votave, pavarësisht sondazheve parazgjedhore që tregonin një garë të ngushtë në këtë shtet me një popullsi latine me rritje të shpejtë.

Sipas sondazheve të zgjedhjeve në atë shtet, katër në 10 hispanikë votuan për Trumpin në Teksas, nga tre në 10 në vitin 2016. Shumë votues të Trumpit përmendën mundësitë ekonomike si temën e tyre kryesore në përcaktimin e votës, ndërsa mbështetësit e zotit Biden vendosën përparësinë e luftës kundër pandemisë së koronavirusit.

Klisheja e Monolitit

Rritja e mbështetjes për presidentin Trump në këto zgjedhje, thonë analistët, pasqyron rritjen e diversitetit në nivelin ekonomik, arsim, prirjet politike, historinë e imigracionit dhe vendin e origjinës mes hispanikëve në Amerikë.

“Ne nuk jemi një grup monolit,” thotë Albert Morales, drejtor për politikën për firmën e anketave Latino Decisions.

Në të njëjtën kohë, rritja e mbështetjes për Trumpin mes latino-amerikanëve, të cilët i dhanë atij 32% të votave të tyre, përsëri ishte nën 40% të votave të fituara nga presidentët e kaluar republikanë Ronald Reagan, George H. W. Bush dhe George W. Bush nga ky komunitet.

Supporters of US President Donald Trump rally outside the "Latinos for Trump Roundtable"

Supporters of US President Donald Trump rally outside the “Latinos for Trump Roundtable”

Dhe ndërsa vota e komunitetit latino-amerikan e ndihmoi Trumpin të fitonte në Florida dhe Teksas, ajo gjithashtu ndihmoi Biden-in në shtetet tradicionalisht republikane si Arizona dhe Xhorxhia. Popullata hispanike në rritje luajti një faktor në pothuajse çdo shtet, duke përfshirë shtetet kryesore që vendosën këto zgjedhje në favor të zotit Biden – Pensilvani, Miçigan dhe Uiskonsën.

“Nuk ka asnjë shtet tani ku ne nuk jemi të rëndësishëm,” thotë zoti Morales.

Sondazhet e kryera pas votimit nga grupi Edison Research treguan gjithashtu se rreth 11% e afrikano-amerikanëve dhe 30% e aziatiko-amerikanëve votuan për presidentin Trump, rreth tre për qind rritje nga të dyja grupet krahasuar me vitin 2016.

Besnikë të Presidentit Trump në poste kyçe në Pentagon

Marrë nga Associated Press

Një ditë pasi Presidenti Trump shkarkoi Sekretarin e Mbrojtjes, Mark Esper, tre besnikë të presidentit u emëruan në poste të larta. Ndër ta Anthony Tata, një ish-komentator për rrjetin televiziv Fox News, i cili nuk mori konfirmimin e Senatit si rezultat i komenteve ofenduese që kishte bërë, ndër të tjera edhe në adresë të fesë islame.

Ndryshimet e papritura kanë tronditur Pentagonin, ndërkohë që personeli ushtarak e civil pret se çfarë tjetër mund të ndodhë dhe shqetësimet janë shtuar se mund të jetë vënë në lëvizje një përpjekje për të flakur ata që nuk janë besnikë ndaj zotit Trump.

Situata e trazuar dukej qartë gjatë ditës në ndërtesë, lidhur me shqetësimet mbi vendimet e ardhshme të administratës Trump në muajt deri në ardhjen e administratës së re, sidomos nëse do të kishte përpjekje më të gjera për të politizuar ushtrinë që historikisht ka qëndruar jashtë politikës. Megjithëse nuk ka gjasa për zhvendosje drastike në politika deri më 20 janar kur bëhet inaugurimi i presidentit të ri, ndryshimet mund të dëmtojnë edhe më tej atmosferën për një tranzicion të qetë, që deri tani është tronditur nga refuzimi i presidentit për të pranuar humbjen.

James Anderson, i cili ka qenë nënsekretar në detyrë për politikat, dha dorëheqjen të martën dhe u zëvendësua menjëherë nga Anthony Tata, general i ushtrisë në pension. Më pas, Joseph Kernan, nënadmiral i marinës në pension, dha dorëheqjen si nënsekretar për zbulimin, duke shpejtuar largimin e tij të pritshëm nga ky post pas zgjedhjeve. Zoti Kernan u zëvendësua nga Ezra Cohen-Watnick, i cili tani është nënsekretari në detyrë për zbulimin.

Ndryshimet u regjistruan në ditën e dytë në detyrë të shefit të ri të Pentagonit, Christopher Miller. Zoti Miller solli edhe një shef të ri personeli, Kash Patel, për të zëvendësuar Jen Stewart, që e kishte përmbushur atë detyrë gjatë drejtimit të institucionit nga zoti Esper. Zyrtarët Patel dhe Cohen-Watnick konsiderohen besnikë të betuar të zotit Trump dhe kanë punuar më parë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Zoti Patel ishte pjesë e një grupi të vogël ndihmësish që udhëtuan disa herë me presidentin në periudhën e fundit të fushatës zgjedhore. Ai ka qenë prokuror në drejtorinë e sigurisë kombëtare në Departamentin e Drejtësisë dhe ish-pjesëtar i stafit në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin. Në atë detyrë, ai ishte ndihmës i ish-ligjvënësit republikan Devin Nunes, që pat kryesuar hetimet mbi ndërhyrjet ruse në zgjedhjet e 2016-ës.

Zoti Patel, sipas disa artikujve në media, ka qenë i përfshirë në përpjekje për të diskredituar hetimet mbi lidhje të mundshme mes kampit zgjedhor të zotit Trump dhe Rusisë. Ai filloi punë në Këshillin për Sigurinë Kombëtare në shkurt 2019 dhe në fillim të këtij viti ishte në Siri për bisedime të nivelit të lartë për të siguruar lirimin e dy amerikanëve që ishin zhdukur prej vitesh, përfshirë gazetarin Austin Tice.

Zoti Cohen-Watnick ka qenë person i afërt me këshilltarin e parë të Presidentit Trump për sigurinë kombëtare, Michael Flynn, por u shkarkua në verën e 2017 nga pasuesi i zotit Flynn, H.R. McMaster, nëkuadër të një numër lëvizjesh të personelit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe stafin e Shtëpisë së Bardhë.

Ndryshimet në personelin e Pentagonit e shtuan dramacitetin e shkarkimit të Sekretarit Esper, por nuk është e qartë se sa do të ndikojnë këto në burokracinë gjigande të Pentagonit. Ky department ushtarak mbështetet në parimin e udhëheqjes civile mbi ushtrinë dhe pjesa më e madhe e punëve të përditshme drejtohen nga udhëheqës ushtarakë e ekspertë në SHBA apo në skaje të botës, të cilët respektojnë me bindje hierarkinë e komandës.

Po ashtu, shumë nga përparësitë dhe politikat e Presidentit Trump lidhur me mbrojtjen janë vënë në zbatim nga zoti Esper dhe pararendësit e tij, nën udhëzimin e Shefave të Shtatmadhorisë dhe shefit të tyre, Gjeneralit Mark Milley. Të gjithë këta udhëheqës ushtarakë mbeten në detyrë.

Kjo është tentativa e dytë e Presidentit Trump për të emëruar në një post politik zotin Tata. Disa muaj më parë, zoti Trump e emëroi zotin Tata në post, por Senati e anuloi seancën për konfirmimin e kandidaturës së tij, pasi u bë e qartë se konfirmimi do të ishte i vështirë. Zoti Tata e tërhoqi kandidaturën për postin numër tre në Pentagon. Më pas presidenti e emëroi në detyrën e zëvendës nënsekretarit.

Departamenti i politikave në Pentagon ka përjetuar trazira të vazhdueshme. John Rood u detyrua të japë dorëheqjen si nënsekretar për politikat në shkurt, pasi irritoi Shtëpinë e Bardhë kur paralajmëroi të mos pezullohen ndihmat amerikane për Ukrainën, një temë që çoi në hapjen e procesit për shkarkimin e mundshëm të presidentit.

Zoti Tata do të përmbushë detyrat e nënsekretarit, por nuk do të ketë titullin “nënsekretar në detyrë”. Zyrtarët që marrin titullin “në detyrë” kanë më shumë autoritet se sa ata që janë thjesht “duke përmbushur detyrën” e postit.

Sipas medias, zoti Tata postoi në 2018 në Twitter komente ku e cilësonte fenë islame “feja më shtypëse e dhunshme që njoh” dhe e quajti ish-Presidentin Obama “udhëheqës terrorist” duke iu referuar atij si mysliman. Postimet u hoqën pak më pas.

Gjatë procesit të konfirmimit në Senat, ligjvënësi demokrat Adam Smith, kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Shërbimet e Armatosura, tha se presidenti nuk duhet të vërë besnikërinë mbi kompetencën duke emëruar dikë në një detyrë ku “i emëruari nuk mund të marrë mbështetjen e Senatit, siç është e qartë në rastin e zotit Tata”.

Zyrtarë të mbrojtjes thonë se zoti Miller, i cili më parë ka qenë drejtor i Qendrës Kombëtare të Kundërterrorizmit, po takohet me stafin dhe po familiarizohet me Pentagonin dhe temat komplekse dhe kritike të misionit të këtij institucioni.

Largimi i zotit Anderson u njoftua për herë të parë nga portali mediatik, Politico.

zëri i amerikës

Teksas, 1 milion të infektuar me koronavirus

Teksasi u bë shteti i parë amerikan që kaloi të mërkurën 1 milion raste me koronavirus; Kalifornia është në vend të dytë me një diferencë që po ngushtohet.

Zyrtarë të shëndetësisë në shtetin e dytë më të madh për nga popullsia regjistruan 10 800 raste të reja të martën – një shifër e re rekord. Megjithëse nuk ka sinjale që zyrtarët do të vënë në zbatim masa emergjente kufizuese për të ngadalësuar përhapjen, agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se një zyrtar bashkiak në Fort Uorth, qyteti i pestë më i madh në këtë shtet, po bën thirrje për pezullimin e aktiviteteve sportive për fëmijët dhe të rinjtë. Disa spitale rurale kanë ngritur tenda që shërbejnë si klinika shëndetësore.

Të mërkurën, zyrtarë shtetërorë të shëndetësisë njoftuan për 6,779 pacientë të shtruar në spitale, pasi pati 609 pacientë të rinj – një ndër rritjet më të theksuara ditore të regjistruara në këtë shtet.

Gjendja në Vend

SHBA regjistroi 61,964 pacientë të shtruar në spitale të martën, duke thyer me më shumë se 2000 pacientë nivelin rekord për rastet brenda një dite të shënuara në mes të prillit.

Me keqësimin e gjendjes së pandemisë, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka rishikuar udhëzimet lidhur me maskat, duke thënë të martën se vënia e maskave nuk mbron vetëm të tjerët, por edhe personin që mban maskë.

Qendra citon disa studime që konfirmojnë se “vënia e maskave ndihmon për të kontrolluar përhapjen e virusit, përfshirë një studim me dy stiliste që mbanin maska, megjithëse ishin të infektuara dhe kishin simptoma të sëmundjes. Studimi arrin në përfundimin se nga që kishin vënë maskë, stilistet nuk infektuan 67 klientë që më pas u kontaktuan nga gjurmuesit e përhapjes së infeksionit”.

SHBA, rreziku i rikthimit të një vale të dytë të pandemisë

Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo vendosi të mërkurën një raund të ri kufizimesh që synojnë frenimin e përhapjes së koronavirusit ndërsa niveli i infeksioneve dhe shtrimeve në spital po rritet në shtetin që ishte epiqendra e shpërthimit në SHBA, në fazat e hershme të pandemisë.

Zoti Cuomo urdhëroi mbylljen e bareve, restorante dhe palestra në të gjithë shtetin duke filluar prej orës 10:00 në mbrëmje si dhe kufizoi në 10, numrin e njerëzve që mund të marrin pjesë në festa private.

Masat e reja, të cilat hyjnë në fuqi të premten, vijnë një ditë pasi Kalifornia dhe disa shtete të Amerikës qendrore forcuan kufizimet ndaj banorëve të martën në një përpjekje për të frenuar përhapjen e shpejtë të virusit.

Ky është shansi ynë i fundit për të ndaluar një valë të dytë“, shkruante në një postim në twitter të mërkurën kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut Bill de Blasio.

Ndërsa numri i infeksioneve, shtrimeve në spital dhe vdekjeve si pasojë e COVID-19-s po rriten në të gjithë vendin, po shtohen gjithnjë e më shumë sinjalet se një valë e dytë mund të përfshijë zonat në verilindje, të cilat ia kanë dalë deri tani të vendosin nën kontroll pandeminë pas goditjes që morën në pranverë.

CDC-ja ka raportuar rreth 240 mijë vdekje nga koronavirusi.

Shtetet e Bashkuara raportuan më shumë se 1,450 vdekje të martën, shifra më e lartë e regjistruar brenda një dite që nga mesi i gushtit, sipas një analize të agjencisë Reuters.

Në Nju Xhersi, një nga pikat e nxehta të hershme në SHBA, një rritje e madhe e rasteve në Newark, qyteti më i madh i shtetit, detyroi Kryetarin e Bashkisë Ras Baraka të zbatojë masa agresive, përfshirë një ndalim-qarkullimi për zona të caktuara.

Në Newark, niveli i rasteve pozitive me koronavirus u rrit në 19 për qind, më shumë se dyfishi i mesatares shtatë-ditore të shtetit prej 7.74 për qind siç tha zoti Baraka në një deklaratë të martën.

Guvernatori i Nju Xhersit Phil Murphy njoftoi disa kufizime të hënën si përgjigje ndaj rritjes së rasteve me COVID-19 në shtet dhe shpërthimit të rasteve pozitive mes banakierëve.

Në shtetin e Marilendit, ku shkalla e rasteve pozitive me COVID-19 u regjistrua 5.6 për qind të mërkurën, zyrtarët njoftuan për rritje të numrit të shtrimeve në spital.

Më shumë se 800 persona po trajtohen për koronavirus në spitalet e këtij shteti që nga e mërkura, numri më i lartë ditor që nga muaji prill sipas Mike Ricci, drejtori i komunikimit i Guvernatorit Larry Hogan.

Të martën një numër rekord njerëzish kanë vdekur si pasojë e COVID-19 në disa shtete qendrore e perëndimore, përfshirë Alaskën, Indianën, Mizurin, Dakotën e Veriut, Uiskonsin dhe në shtetin Uajoming.

Zyrtarët në shtetet më të goditura nga virusi iu lutën banorëve të qëndrojnë sa më shumë në shtëpi e të dëgjojnë këshillat e ekspertëve duke vendosur maska, duke larë duart dhe duke ruajtur distancën fizike.

zëri i amerikës

Ndryshimi i politikave amerikane të emigracionit

Aline Barros

Administrata e ardhshme e Presidentit të zgjedhur Joe Biden mund të ndryshojë me shpejtësi një varg politikash të emigracionit të Presidentit Donald Trump, shumë prej të cilave mbeten ndër iniciativat më të debatueshme të administratës së tij. Zoti Biden mund të shfuqizojë shumë udhëzime duke përdorur të njëjtin mekanizëm që presidenti Trump përdori për t’i zbatuar ato – urdhrat ekzekutivë. Megjithatë, vendime të tjera do të kërkojnë më shumë se kaq, thonë ekspertët. Në katër vitet e fundit, presidenti Trump ishte autori i më shumë se 400 akteve rregullatore që i ndërmori përmes autoritetit të tij ekzekutiv.

Michele Waslin, koordinatore e programit në Institutin për Kërkime të Imigracionit në Universitetin George Mason, i tha Zërit të Amerikës se lista përfshin kufizime të gjera të udhëtimit, ndryshimin e përparësive për imigracionin, ndryshimin e rregullave të azilit, një deklaratë emergjente për ndërtimin e murit të kufirit dhe pakësimin e numrit të pranimit të refugjatëve.

“Në teori, dekretet presidenciale dhe urdhërat ekzekutivë mund të anulohen nga presidenti i ri; megjithatë, në shumë raste, ndryshimi nuk do të jetë i menjëhershëm pasi do të duhet të emërohet personel në këto agjenci, udhëzuesit dhe manualët në terren duhet të përditësohen dhe do të duhet të bëhen plane për të kryer ndryshimet”, shpjegon ekspertja.

Zonja Waslin thotë se zhbërja e politikave të tjera pritet të jetë më komplekse.

“Politikat që u ndryshuan përmes rregulloreve ka të ngjarë të kërkojnë rregullore të reja dhe një periudhë të re për të dëgjuar komente nga publiku,” shpjegon ajo.

100 ditët e para

Brenda 100 ditëve të para, Biden-i pritet të shfuqizojë urdhrin ekzekutiv të presidentit Trump që ndaloi shumicën e shtetasve nga vende të caktuara të vizitojnë Shtetet e Bashkuara. Fillimisht, kufizimet shënjestruan qytetarët e disa vendeve me shumicë myslimane por u zgjeruan për të përfshirë vende të tjera që Uashingtoni i konsideron si kërcënuese për sigurinë.

Urdhri i fundit përfshin Mianmarin, Eritrenë, Kirgistanin, Nigerinë, Sudanin, Tanzaninë, Iranin, Libinë, Somalinë, Sirinë dhe Jemenin, së bashku me Venezuelën dhe Korenë e Veriut.

Një tjetër ndryshim që ekspertët thanë se do të ishte i thjeshtë për t’u bërë është rihapja e programit DACA për të gjithë aplikantët e kualifikuar.

DACA është një program i nisur nga administrata Obama që mbron nga deportimi njerëzit e sjellë në moshë të mitur, në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.

Nën administratën e presidentit Trump, agjencia e Shërbimeve të Shtetësisë dhe Imigracionit të Shteteve të Bashkuara, USCIS, ndaloi pranimin e aplikimeve të reja për programin DACA.

Në vitin 2019, administrata Trump propozoi një plan që premtonte një ndryshim “të drejtë, modern dhe ligjor” të sistemit të emigracionit amerikan. Ai nuk adresonte programin DACA dhe Kongresi nuk veproi pas asaj.

Pritet gjerësisht që një administratë e presidentit të zgjedhur Biden të zgjerojë mbrojtjen nga deportimi, si dhe autorizimin për të punuar për qindra mijëra emigrantë të tjerë pa dokumenta që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara si fëmijë.

“Gjykata e Lartë kishte urdhëruar tashmë agjencinë USCIS që të fillonte pranimin e aplikacioneve DACA përsëri, por ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Administrata e re duhet të jetë në gjendje të rihapë procesin e aplikimit; megjithatë, një zgjidhje legjislative është e nevojshme për të ofruar me të vërtetë mbrojtje të përhershme për atë grup njerëzish që kanë ardhur në SH.B.A. si fëmijë të vegjël,” tha zonja Waslin.

Barra Publike

Sipas një raporti nga Instituti i Politikave të Migracionit (MPI), përmbysja e rregullores së agjencisë USCIS mbi barrën publike do të kërkojë më shumë sesa një firmë. Agjencia ka të ngjarë të duhet të kalojë një periudhë njoftimi dhe dëgjimi të komenteve nga publiku.

Rregulli i barrës publike, ose testi i pasurisë siç e quajnë kritikët, kërkon të përcaktojë nëse një emigrant ka të ngjarë të mbështetet në programet e ndihmës publike të Amerikës. Megjithëse rregulli nuk është një koncept i ri dhe ka qenë në manuale për më shumë se 20 vjet, administrata Trump po e përdor atë shumë më tepër sesa paraardhësit e saj.

Biden gjithashtu është zotuar t’i dërgojë Kongresit legjislacionin për t’u siguruar status ligjor shumë emigrantëve pa dokumenta në vend.
“Megjithatë, nxitja e Kongresit për të vepruar për një nga çështjet më të debatueshme të imigracionit do të ishte në mënyrë të pashmangshme një hap i parë sfidues për administratën e re, edhe pse mbështetja publike për reforma në imigracion në përgjithësi është rritur në nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë”, sipas MPI-së.

Programi i refugjatëve

Shtetet e Bashkuara kanë marrë për vite me rradhë dhjetëra mijëra refugjatë, por nën administratën Trump, pranimet kanë rënë në një nivel të ulët rekord. ((h

Biden pritet të rrisë pragun e pranimit të refugjatëve për vitin fiskal 2021, të cilin administrata Trump e vendosi në 15,000. Gjatë fushatës, zoti Biden premtoi një tavan të pranimeve të refugjatëve deri në 125,000.

Rregullat e azilit

Premtimi i përsëritur shpesh i Presidentit Trump për të ndalur imigracionin e paligjshëm dhe për të marrë kontrollin e kufirit jugor të Amerikës solli një sërë politikash dhe rregulloresh që dobësuan qasjen për mbrojtjen humanitare të migrantëve.

Ato përfshinin Protokollet e Mbrojtjes së Migrantëve (MPP), e njohur gjithashtu si politika e Mbetjes në Meksikë, e cila detyroi mijëra emigrantë të qëndronin në qytetet kufitare meksikane ndërsa prisnin seancat gjyqësore të imigracionit në Shtetet e Bashkuara. Administrata kufizoi gjithashtu azilin për emigrantët që udhëtonin përmes vendeve të Amerikës Qendrore nëse nuk aplikonin për mbrojtje në një vend tranzit para se të mbërrinin në një pikë kufitare të SHBA. ((https://www.dhs.gov/sites/default/files/publications/assessment_of_the_migrant_protection_protocols_mpp.pdf))

Zhbërja e kësaj politike dhe rivendosja e mbrojtjes për azilantët do të jetë më e vështira, parashikojnë ekspertët.

“Unë besoj se veprimet e administratës Trump ndaj refugjatëve, azilantëve dhe të tjerëve që kërkojnë ndihmë humanitare, do të ndihen për një kohë shumë të gjatë,” tha zonja Waslin.

Administrata Trump ka mbrojtur politikën e Protokolleve të Mbrojtjes së Migranëve (MPP) për të parandaluar mbipopullimin në ambientet e paraburgimit të migrantëve në SHBA.

Biden cakton Ronald Klain në postin e shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë

Marrë nga Associated Press

Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka zgjedhur këshilltarin e tij të vjetër Ron Klain për të shërbyer përsëri në rolin e shefit të stafit të tij, duke vendosur një ndihmës me përvojë prej disa dekadash në rolin kryesor në stafin e presidentit.

Zoti Klain do të drejtojë një Shtëpi të Bardhë që ka të ngjarë të jetë e përqëndruar tek përgjigja ndaj pandemisë së koronavirusit, e cila vazhdon të përhapet pa kontroll në të gjithë vendin. Ai do të përballet gjithashtu me sfidën për të punuar me një Kongres të ndarë që mund të përfshijë një Senat të udhëhequr nga republikanët. Zoti Klain shërbeu si koordinator për përgjigjen ndaj Ebolës gjatë shpërthimit të virusit në vitin 2014.

Në një deklaratë të mërkurën mbrëma, zoti Biden u shpreh se ai zgjodhi zotin Klain për këtë post sepse përvoja e tij e gjatë në Uashington e kishte përgatitur atë për sfida të tilla.

“Përvoja e tij e thellë dhe e larmishme dhe aftësia për të punuar me njerëz të të gjithë spektrit politik është pikërisht ajo që më duhet në një shef të stafit të Shtëpisë së Bardhë ndërsa përballemi me këtë moment krize dhe bashkojmë vendin”, tha zoti Biden.

Zoti Klain shërbeu si shef i personelit të zotit Biden gjatë mandatit të parë të presidentit Barack Obama, ishte shef i personelit të nënpresidentit Al Gore në mes të viteve 1990 dhe ishte një nga këshilltarët kryesorë në fushatën e zotit Biden, duke udhëhequr përgatitjet e debatit të tij dhe përgjigjen ndaj koronavirusit. Ai është njohur dhe ka punuar me zotin Biden që nga fushata presidenciale e demokratëve në vitin 1987.

Zgjedhja e zotit Klain nënvizon përpjekjen që administrata e ardhshme Biden do të bëjë në përgjigjen e saj ndaj koronavirusit qysh ditën e parë. Klain ka përvojë në shëndetin publik si koordinator i përgjigjes për Ebolën dhe luajti një rol kryesor në hartimin dhe zbatimin e planit të rimëkëmbjes ekonomike të administratës Obama në vitin 2009. zëri i amerikës

Trump shpallet fitues në Alaska

Me tri vota të Alaskës, sa ka Kolegji Elektoral në këtë shtet, numri total i pikëve të Trumpit arrin në 217, ndërkohë që presidenti tashmë i zgjedhur, Joe Biden ka 279 vota, apo nëntë më shumë sesa nevojiten për të shpallur një kandidat fitues.

Arizona, Xhorxhia, ku Biden aktualisht udhëheq, dhe Karolina Veriore, ku Trump është më përpara, pritet të shpallin fituesit.

Mirëpo edhe nëse Trump arrin të fitojë të trija shtetet, 42 votat e tyre të Kolegjit Elektoral nuk do të mund të ndryshonin rezultatin.

Numërimi i të gjitha votave ka rezultuar po ashtu me fitoren e senatorit Dan Sullivan, duke i dhënë Partisë së tij Republikane gjysmën e ulëseve në Senatin me 100 ulëse.

Demokratët kanë 48 ulëse, derisa për dy të tjera – në Xhorxhia – pritet që fituesit të bëhen të ditur në janar, meqë asnjëri kandidat nuk ka fituar më shumë se 50 për qind të votave në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Teksa numërimi i votave ka arritur në fazën finale, të gjitha mediat e mëdha amerikane kanë shpallur Bidenin fitues të zgjedhjeve.

Trump nuk e ka pranuar rezultatin, derisa fushata e tij dhe republikanët kanë nisur disa kërkesa ligjore, duke sfiduar procesin e numërimit në shtetet kyçe.

Gjyqtarët kanë hedhur poshtë shumicën prej tyre, ndërkohë që Trump nuk ka ofruar të dhëna për mashtrime zgjedhore apo vjedhje të votave.

Biden dhe ekipi i tij kanë nisur përgatitjet për administratën e re amerikane, nëse fitorja konfirmohet.

Biden takohet me zyrtarët e tij të tranzicionit

Ken Bredemeier

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden po takohet me këshilltarët e tij të tranzicionit ndërsa vazhdon planifikimet për të marrë kontrollin e qeverisë kur ai të inaugurohet më 20 Janar.

Zoti Biden ka emëruar një varg këshilltarësh për të shqyrtuar operacionet e agjencive në të gjithë qeverinë. Ai tha të martën se mund të njoftonte disa emërime kryesore përpara festës vjetore të Falënderimeve më 26 nëntor.

Lista e këshilltarëve të tij të tranzicionit është e gjatë, me emra ekspertësh të njohur për çështjet me të cilat ai do të përballet qysh herët në administratën e tij.

Kathleen Hicks, nënpresidente në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, po drejton punën për shqyrtimin e operacioneve të Departamentit të Mbrojtjes.

Në Departamentin e Shtetit, Linda Thomas-Greenfield, ish ndihmës sekretare e shtetit për çështjet afrikane, po drejton shqyrtimin e operacioneve. Don Graves, ekzekutiv në KeyBank, po shqyrton operacionet e Departamentit të Thesarit, ndërsa Martha Gimbel, menaxherja e lartë e kërkimit ekonomik në Schmidt Futures, po studion Grupin e Këshilltarëve Ekonomikë.

BIDEN: ASGJË NUK E NDAL TRANZICIONIN

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden tha të martën se nuk është i shqetësuar për refuzimin e Presidentit Donald Trump për të pranuar humbjen pas zgjedhjeve të javës së kaluar, por se ai mendon se kjo e vë në pozitë të vështirë si Presidentin Trump ashtu edhe vendin.

“Unë mendoj se nuk do ta ndihmojë trashëgiminë e presidentit,” u tha zoti Biden gazetarëve në Uilmington të shtetit Delauer, ku ai po punon për tranzicionin e tij në pushtet dhe po planifikon hapat e parë pas inaugurimit të tij të pritshëm më 20 Janar.

Ai tha se asgjë nuk e ndal transferimin e pushtetit.

Presidenti Trump, pa ofruar prova të rëndësishme për parregullsi në votim ose në numërimin e votave, ka ngritur më shumë se 10 procese gjyqësore në disa shtete, duke u përpjekur të përmbysë fitoren e shpallur nga organizatat kryesore mediatike të zotit Biden në zgjedhje.

Por Presidenti i zgjedhur Biden tha, “Ne tashmë e kemi filluar tranzicionin” dhe se refuzimi i zotit Trump për të pranuar humbjen “nuk e ndryshon dinamikën”. Zoti Biden po përqendrohet së pari në çështjen e pandemisë së koronavirusit, e cila ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 238,000 amerikanëve, më tepër se në çdo vend tjetër.

Zoti Biden tha se ai mund të bënte disa emërime me rëndësi në administratën e tij përpara festës vjetore të Falenderimeve, që është 26 nëntori i këtij viti.

“Fakti që ata nuk janë të gatshëm të pranojnë fitoren tonë nuk ka shumë pasoja,” tha ai.

Presidenti Trump, në përpjekje për të kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve, i ka ndaluar zyrtarët e administratës së tij të bashkëpunojnë me përfaqësuesit e zotit Biden për të ndihmuar në kalimin e pushtetit.

Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme, një agjenci qeveritare e SHBA, ka refuzuar të njohë zotin Biden si president i zgjedhur. Kjo nuk po i lejon zyrtarët e zotit Biden të marrin hapësira për zyra në agjencitë federale dhe fonde federale për të financuar tranzicionin.

Por zoti Biden nuk shprehu ndonjë shqetësim.

“Ne mund të bëjmë edhe pa financim,” tha ai, ndërsa pranoi gjithashtu se ende nuk kishte filluar të merrte Informimin e Përditshëm Presidencial nga inteligjenca amerikane.

“Informimi i Inteligjencës do të ishte i dobishëm,” tha ai, “por unë nuk jam presidenti aktual.”

Zoti Biden tha se nuk ishte nevoja që ekipi i tij të ngrinte proces gjyqësor për të detyruar administratën aktuale të pranonte fitoren e tij.

“Unë mendoj se gjithçka do të realizohet në 20 Janar,” tha ai.

I pyetur se çfarë do t’i thoshte Presidentit Trump nëse ai po shikonte në TV konferencën për shtyp, zoti Biden buzëqeshi dhe tha: “Zoti President, mezi po pres të flas me ju.”

Dita e Veteranëve: Trump vendos kurorë në Arlington, Biden në Pensilvani

Ndërsa amerikanët në të gjithë vendin po bëjnë homazhe për të gjithë ata që kanë shërbyer në Forcat e Armatosura të vendit, Presidenti Donald Trump dhe zonja e parë morën pjesë në një ceremoni me rastin e Ditës së Veteranëve në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, pranë kryeqytetit.

Në shiun që vazhdonte të binte, Presidenti Trump vendosi një kurorë përpara monumentit të ushtarit të panjohur, në shoqërimin e nënpresidentit Mike Pence.

Kjo është një nga paraqitjet e para publike të Presidentit Trump që kur rivali i tij demokrat Joe Biden siguroi votat e nevojshme të Kolegjit Zgjedhor për të fituar presidencën, sipas vlerësimit të organizatave të mëdha mediatike.

Ceremonitë e vendosjes së kurorave në në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit kanë tërhequr mijëra njerëz në të kaluarën. Por ceremonia e këtij viti është e mbyllur për publikun dhe e ndryshuar në format, në mënyrë që pjesëmarrësit të mund të zbatojnë udhëzimet e sigurisë për pandeminë e koronavirusit.

Të gjithëve u është kërkuar të mbajnë maska fytyre dhe të praktikojnë distancimin shoqëror në mjediset e varrezave.

Me rastin e Ditës së Veteranëve, Presidenti i zgjedhur Joe Biden bëri një ndalesë në Përmendoren e të rënëve të Luftës së Koresë në Filadelfia.

zëri i amerikës

Republikanët fitojnë 50 vende në Senat

Senatori republikan Dan Sullivan i Alaskës ka fituar rizgjedhjen, sipas parashikimeve të së mërkurës nga “Edison Research”. Por marrja e kontrollit të Senatit do të përcaktohet në muajin janar nga dy balotazhe zgjedhore balotazh në shtetin Xhorxhia.

55-vjeçari Sullivan mundi Al Gross, një i pavarur që kandidoi si demokrat në një zgjedhje, të cilën shumë analistë politikë e përshkruan si një shans të mundshëm për fitore të demokratëve.

Një ditë më parë Senatori republikan Thom Tillis u shpall fitues për një mandat tjetër në Karloninën e Veriut. Por fitorja në Alaska e republikanit Sullivan tregon se shpresat e demokratëve për të fituar shumicën, që do të mbështeste axhendën e Presidentit të zgjedhur Joe Biden, do të varen tek zgjedhjet në Xhorxhia më 5 janar.

Me fitoren e Shtëpisë së Bardhë nga zoti Joe Biden, demokratët duhet të mposhtin rizgjedhjen e tre senatorëve republikanë për të siguruar 50 vende në Senatin prej 100 anëtarësh. Në një rast të tillë, balanca do të shkonte për demokratët me votën shtesë nga Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris, që do të luante rolin e presidentes së Senatit.

Zoti Biden ka tejkaluar kufirin prej 270 votash të Kolegjit Elektoral të nevojshme për mundur Presidentin Donald Trump.

Demokratët fituan vende që mbaheshin nga republikanët në shtetet Arizona dhe Kolorado në zgjedhjet e javës së kaluar. Por ata humbën një vend në Alabama, duke zvogëluar fitoren me një vend të vetëm.

Në shtetin Xhorxhia, senatorët republikanë David Perdue dhe Kelly Loeffler përballen përkatësisht me demokratët Jon Ossof dhe Raphale Warnock.

zëri i amerikës

Punëtori i postës pranon se i kishte trilluar akuzat për manipulim votash

US mail ballots

Një punonjës i postës amerikane në Pensilvani, pretendimet e të cilit janë cituar nga republikanë të rangjeve të larta si provë e mundshme për parregullsi të përhapura në votime, pranoi se i kishte sajuar akuzat, sipas tre zyrtarëve të informuar për hetimin dhe një deklarate nga një komision i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan.

Pretendimi i punonjësit Richard Hopkins se një drejtor postash në Erie të Pensilvanisë kishte udhëzuar postierët që të ndryshonin datën në zarfet me vota të hedhura pas dotës së zgjedhjeve, u citua nga senatori republikan Lindsey Graham në një letër drejtuar Departamentit të Drejtësisë, ku kërkonte hapjen e një hetimi federal.

Prokurori i Përgjithshëm William Barr më pas autorizoi prokurorët federalë të hapnin hetime rreth aludimeve të besueshme për parregullsi dhe mashtrim në votime, një akti i pazakontë nga Departamenti i Drejtësisë.

Por të hënën, 32-vjeçari Hopkins, u tha hetuesve të Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm të Shërbimit Postar se pretendimet nuk ishin të vërteta dhe ai nënshkroi një deklaratë ku hiqte dorë nga pretendimet e tij, sipas zyrtarëve që folën në kushte anonimiteti.

Republikanët i quajtën pretendimet e zotit Hopkins si ndër më të besueshmet, sepse ai kishte nënshkruar një deklaratë ku thoshte se kishte dëgjuar një epror duke udhëzuar kolegët për t’u ndryshuar datën zarfeve me vota të postuara pas 3 nëntorit.

Edhe Drejtori i postës në Erie, Rob Weisenbach, i quajti akuzat “100% të rreme” në një postim në Facebook dhe tha se ato u bënë “nga një punonjës që ishte disiplinuar shumë herë kohët e fundit”.

zëri i amerikës

Anketa: 79 përqind e amerikanëve besojnë se Biden është fitues i zgjedhjeve

Marrë nga Reuters

Pothuajse 80 përqind e amerikanëve, përfshirë më shumë se gjysmën e republikanëve, njohin presidentin e zgjedhur Joe Biden si fitues të zgjedhjeve të 3 nëntorit pasi shumica e agjencive të lajmeve e shpallën atë fitues të garës bazuar në epërsinë e tij në shtetet fushëbetejë, sipas një sondazhi të agjencisë së lajmeve Reuters dhe kompanisë Ipsos.

Ndërsa gara me presidentin e tanishëm republikan Donald Trump ende mbeti e papërcaktuar në tre shtete deri të martën vonë pasdite, Biden, të cilit i duheshin 270 vota të Kolegjit Zgjedhor për të fituar, kishte 279 kundrejt 214 votave elektorale të Presidentit Trump, sipas organizatës kërkimore “Edison Research”.

Biden mori 76.3 milionë vota, ose 50.7 përqind të të gjitha votave të numëruara deri të martën, ndërsa Presidenti Trump mori 71.6 milionë, ose 47.6 përqind të totalit të votave.

Anketa kombëtare Reuters/Ipsos, e cila u bë mes të shtunës dhe pasditës së të martës, zbuloi se 79 përqind e të rriturve në Shtetet e Bashkuara besojnë se Biden fitoi zgjedhjet presidenciale. 13 përqind e pjesëmarrësve në anketë thanë se zgjedhjet nuk janë vendosur ende, 3 përqind thanë se Trump fitoi dhe 5 përqind thanë se nuk e dinin rezultatin.

Rezultatet u ndanë disi përgjatë vijave partiake: rreth gjashtë në 10 republikanë dhe pothuajse çdo demokrat thanë se Biden i fitoi zgjedhjet.

“Edison Research”, organizata e cila bëri exit-pollet për agjencinë e lajmeve Reuters dhe mediat kryesore, të shtunën e shpallën zotin Biden fitues të zgjedhjeve pasi ai e zgjeroi epërsinë ndaj Presidentit Trump në Pensilvani.

Presidenti Trump ende nuk e ka njohur rezultatin e zgjedhjeve. Ai shpalli fitoren para kohe, shumë kohë para përfundimit të numërimit të votave dhe është ankuar pa dhënë prova se ai është viktimë e manipulimit të gjerë të votave.

Pretendimet e tij janë përsëritur nga anëtarë të kabinetit të tij.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr ka autorizuar nisjen e hetimeve federale mbi pretendime “substanciale” për parregullsi në votime dhe sekretari i shtetit Mike Pompeo të martën tha se ai parashikon “një tranzicion të qetë në një administratë të dytë të Presidentit Trump”.

Sondazhi i Reuters/Ipsos ishte pjesë e një sondazhi më të gjerë të zhvilluar mes ditës së premte dhe të martës, dhe përfshinte përgjigje të marra para shpalljes së fituesit të garës presidenciale nga mediat.

Sondazhi tregoi se 70 përqind e amerikanëve, përfshirë 83 përqind të demokratëve dhe 59 përqind e republikanëve besojnë se zyrtarët e tyre lokalë të zgjedhjeve e “bënë punën me sinqeritet”.

Sondazhi zbuloi gjithashtu se 72 përqind e pjesëmarrësve mendojnë se kandidati që ka marrë më pak vota elektorale duhet të pranojë humbjen, dhe 60 përqind e tyre mendojnë se do të ketë një transferim paqësor të pushtetit kur mandati i Presidentit Trump të përfundojë në janar.

zëri i amerikës

Biden: Asgjë nuk e ndal transferimin e pushtetit

Presidenti i zgjedhur Joe Biden tha të martën se asgjë nuk do ta ndalë transferimin e pushtetit në SHBA, megjithëse Presidenti Donald Trump pretendon pa prova se zgjedhjet u karakterizuan nga mashtrime dhe disa prej aleatëve të tij republikanë mbështesin proceset ligjore të hapura për këtë qëllim.

Kreu i shumicës republikane të Senatit, Mitch McConnell ka mbështetur të drejtën e Presidentit Trump për të ndërmarrë sfida ligjore ndaj fitores së zotit Biden në disa shtete “fushëbetejë” si Pensilvania. Disa të republikanë me pozita të larta në Senat janë përpjekur të ngjallin dyshime për rezultatin.

Mitch McConnell

Mitch McConnell

Zoti Biden siguroi më shumë se 270 votat e nevojshme të Kolegjit Zgjedhor, duke fituar Pensilvaninë të shtunën pas katër ditësh të tensionuara të numërimit, i cili u vonua për shkak të rritjes së numrit të fletëvotimeve me postë.

Zoti Biden tha në një fjalim në Delauer se ekipi i tij po vazhdon punën për formimin e një administrate të re që do të nisë funksionimin në Ditën e Inaugurimit, më 20 Janar 2021, sido që të jetë.

Ne do të vazhdojmë, duke ecur së bashku, në mënyrë konsistente për të formuar administratën tonë, Shtëpinë e Bardhë, dhe për të shqyrtuar se cilët njerëz do të zgjedhim për pozitat e Kabinetit. Asgjë nuk do ta ndalë këtë,” tha ai.

Zoti Biden tha se ishte “turp” që zoti Trump nuk i ka pranuar zgjedhjet.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo parashikoi një administratë të dytë Trump në komentet që bëri të martën, të cilat ishin në kundërshtim me urimet e bëra në biseda telefonike midis zotit Biden dhe udhëheqësve të Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Irlandës.

“Me disa përjashtime të kuptueshme, e gjithë Partia Republikane është vënë në një pozicion frikësimi të butë nga presidenti, por ka vetëm një president në një kohë,” tha zoti Biden, i cili buzëqeshi kur u pyet në lidhje me komentet e zotit Pompeo.

Më pas, në një intervistë me Fox News, zoti Pompeo duket se i zbuti komentet e tij. Ai tha: “Unë kam shumë besim se do të kemi një tranzicion të mirë,
se do të sigurohemi që kushdo që është në detyrë në mesditën e 20 janarit do t’i ketë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbajtur të sigurt amerikanët.”

Në seancën e parë me pyetje-përgjigje që nga fitorja e tij, zoti Biden u pyet se çfarë do t’i thoshte zotit Trump, nëse ishte duke e parë në televizion atë moment.

Presidenti i zgjedhur u përgjigj: “Zoti President, mezi pres të flas me ju”.

zëri i amerikës

Barr autorizon hetime lidhur me pretendimet mbi manipulim në zgjedhje

Prokurori i Përgjithshëm William Barr ka autorizuar prokurorët federalë të hetojnë ato që ai i quan “pretendime të forta” për parregullsi, gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit. Një vendim i tillë nxiti zyrtarin e Departamentit të Drejtësisë që mbikëqyr krimet elektorale të japë dorëheqjen. Në dokumentin e lëshuar të hënën, të publikuar nga disa organizata mediatike, nuk citohej ndonjë rast specifik rreth manipulimeve të pretenduara.

 

Zoti Barr shkruante se hetimet “mund të kryhen nëse ka pretendime të qarta e të besueshme për parregullsi, të cilat nëse janë të vërteta, mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve në një shtet të caktuar”.

 

Ai shtonte se “ndërsa është e domosdoshme që pretendimet e besueshme të trajtohen në një kohë dhe në mënyrë efektive, është po aq e domosdoshme që personeli i Departamentit të tregojë kujdesin e duhur, e të ruajë angazhimin absolut të këtij Departamenti, për drejtësi, paanësi e qasje jopartiake”.

 

Lëvizja e zotit Barr nxiti dorëheqjen e prokurorit kryesor që mbikëqyr krimet e lidhura me zgjedhjet në Departamentin e Drejtësisë Richard Pilger. Në një email drejtuar kolegëve të tij të hënën ai shkruante se “dorëhiqej me keqardhje” pas udhëzimit të zotit Barr “dhe pasojave që ai mund të prodhojë”.

 

Zoti Pilger do të vazhdojë të shërbejë në Departamentin e Drejtësisë, por në një detyrë tjetër.

 

Prej kohësh Departamenti i Drejtësisë ka ndjekur një politikë që synonte të ndalonte hetime të kësaj natyre derisa zyrtarët e zgjedhjeve në secilin shtet të çertifikonin rezultatet, për të shmanmgur çdo lloj perceptimi të ndërhyrjes nga qeveria federale.

 

Shtetet kanë afat deri më 8 dhjetor për të kryer rinumërime të mundshme ose për të zgjidhur proceset gjyqësore lidhur me zgjedhjet. Më pas më 14 dhjetor Kolegji Zgjedhor do të mblidhet për të zgjedhur zyrtarisht fituesin e zgjedhjeve presidenciale bazuar në rezultatin e 3 nëntorit.

 

Nëpërmjet një deklarate të hënën Bob Bauer, një prej avokatëve të fushatës zgjedhore të presidentit të zgjedhur Joe Biden, shprehej se është “thellësisht për të ardhur keq që Prokurori i Përgjithshëm Barr zgjodhi të lëshojë një udhëzim që do të ushqejë vetëm pretendime çorientuese, spekulative, imagjinare apo të pabesueshme. Këto janë nga ato lloj pretendimesh që presidenti dhe avokatët e tij po hedhin pa sukses çdo ditë, ndërsa paditë e tyre po bëhen qesharake nga një gjykatë në tjetrën”. “Por në fund të fundit, demokracia amerikane është më e fortë se çdo skenar politik i çalë e cinik”, shtonte më tej ai.

 

Presidenti Donald Trump nuk e ka pranuar rezultatin e zgjedhjet dhe ka pohuar, por pa ofruar prova, se procesi i votimit në shumë shtete u manipulua. Organizatat kryesore mediatike e kanë shpallur zotin Biden fitues bazuar informacionet e numrit të votave të lëshuara nga shtete të ndryshme. zëri i amerikës

Sfidat historike të administratës Biden

Brian Padden

Pas fitores me rezultat të ngushtë, Presidenti i zgjedhur Joe Biden pritet të marrë drejtimin e vendit të ndarë politikisht që po përballet me pandeminë vdekjeprurëse dhe ekonominë e dëmtuar rëndë prej saj. Analistët mendojnë se suksesi i demokratit të moderuar mund të varet nga tejkalimi i dallimeve politike me republikanët dhe sigurimi i përkrahjes së progresistëve të partisë së tij.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden premtoi gjatë fushatës të zgjerojë mundësitë për qasje në kujdesin shëndetësor, ndihma për punëtorët me pahë të ulët dhe investime në energjinëp e pastër duke krijuar miliona vende të reja pune. Por sfida e tij e parë do të jetë trajtimi i pandemisë së koronavirusit, që sipas Universitetit Johns Hopkins ka shkaktuar mbi 237 vdekje në ShBA.

“Nuk do të kursejë përpjekjet dhe angazhimin për të frenuar pandeminë“, tha Presidenti i zgjedhur, Joe Biden.

Zoti Biden të hënën themeloi grupin e punës kundër koronavirusit, i cili do të përqëndrohet në shtimin e testimeve, rritjen e prodhimit të pajisjeve mbrojtëse për punonjësit e kujdesit shëndetësorë si dhe zhvillimin dhe shpërndarjen e vaksinave.

Por, suksesi i axhendës së tij, varet nga lëvizjet e zotit Biden për të tejkaluar dallimet partiake që janë shtuar gjatë mandatit të Presidentit në largim, Donald Trump.

“Ndarjet janë të thella. Shpresoj të futemi në një shteg shërimi. Nuk do të ndodhë as shpejtë e as lehtë“, thotë David Redlawsk, Profesor i Politikave në Universitetin e Delauerit.

Zoti Biden mund të përballet me kundërshtim të madh nga udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, i cili do të përcaktojë axhendën e kësaj dhome të kongresit, nëse republikanët fitojnë një nga dy garat e balotazhit në Xhorxhia në janar.

“Zoti McConnel mund të mos lëvizë nga qëndrimet e tij dhe të mos lejojë nisma liberale”, thotë Shannon O’Brien, Profesore e Politikave amerikane.

Presidenti i zgjedhur shihet si njeriu i përshtatshëm për të tejkaluar dallimet, pasi ai ka shërbyer për dekada si senator dhe më pas nënpresident në administratën Obama. Raporti i tij me zotin McConnel dhe të tjerët do të vihet në provë.

“Ai mund të shfrytëzojë marrëdhëniet e tij për të ndërtuar koalicione të mundshme që mbase nuk i kemi parë në katër vitet e fundit”, tha Jeff Bennet, Profesor komunikimi në Universitetin Vanderbilt.

Zoti Biden ka theksuar nevojën e bashkëpunimit midis partive për të arritur të mirën e përgjithshme.

“Për të pasur sukses, duhet të mos i shohim kundërshtarët si armiq. Nuk jemi armiq, jemi amerikanë“, deklaroi Presidenti i zgjedhur Joe Biden.

Por udhëheqësi demokrat do të përballet gjithashtu me presionin e krahut më liberal të partisë së tij, të ashtuquajturit progresistët, që duan një sistem të përgjithshëm shëndetësor të financuar nga qeveria dhe masa agresive për luftimin e ndryshimeve klimatike.

Disa demokratë të ekstremit të majtë, si ligjvënësja e Nju Jorkut, Aleksandria Ocasio-Cortez, kanë shprehur tashmë zhgënjimin, pasi sipas saj demokratët e moderuar, pasi zgjidhen braktisin kauzat progresive dhe kërkojnë marrëveshje me republikanët.

Cila është Kamala Harris, e zgjedhur në postin e nënpresidentes?

Katherine Gypson

Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris hyri në histori këtë javë duke u bërë gruaja e parë që fiton zgjedhjet. Materiali në vazhdim na njeh me rrugën që e solli zonjën Harris në pozicionin e dytë më të fuqishëm në qeverinë amerikane.

Një moment historik në Shtetet e Bashkuara…

“Ndërsa mund të jem gruaja e parë në këtë post, nuk do të jem e fundit”, tha nënpresidentja e zgjedhur.

56-vjeçarja Harris falënderoi presidentin e zgjedhur Joe Biden dhe votuesit…. që e zgjodhën atë për t’u bërë gruaja e parë me ngjyrë dhe indiano-amerikane që do të shërbejë si nënpresidente e Shteteve të Bashkuara.

“Ne kemi pasur gra në Gjykatën e Lartë. Kemi Nancy Pelosin si kryetare të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongres, por asnjëherë nuk kemi patur një grua në degën ekzekutive si nënpresidente – ende jo si presidente. Dhe jo vetëm kaq, por kemi një grua me ngjyrë, një grua nga prindër emigrantësh që erdhën në këtë vend për një jetë më të mirë”, thotë Barbara Perry me Universitetin e Virxhinias.

Vajza e një nëne indiane dhe një babai xhamajkan, zonja Harris u rrit në Oakland, të Kalifornisë. Një pikturë murale e saj është tani në shkollën ku ajo çohej me autobuz si fëmijë, si pjesë e përpjekjeve të integrimit racor.

“Ajo theu kaq shumë barriera të ngurta për kaq shumë gra”, tha ligjvënësja demokrate Barbara Lee.

E diplomuar në Universitetin Howard, një kolegj i përbërë kryesisht nga studentë me ngjyrë në Uashington, Harris u bë prokurorja e parë grua me ngjyrë në San Francisko në vitin 2004 dhe më pas Prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë në vitin 2010.

Gjatë protestave të lëvizjes “Black Lives Matter” këtë verë, disa përfaqësues progresistë u ankuan se zonja Harris kishte qenë një prokurore shumë e ashpër, kishte marrë pozicione kontradiktore mbi dënimin me vdekje dhe nuk arriti ta mbante policinë përgjegjëse për sjellje të ashpra.

Kamala Harris për herë të parë hyri në histori në Kaliforni kur u zgjodh në Senatin amerikan.

“Është e rëndësishme që amerikanët të shohin në pushtet, njerëz që duken si vetë ata”, thotë Shannon Bow O’Brien me Universitetin e Teksasit.

Kamala Harris – e cila flet shpesh për rolin e saj si teze dhe nënë e fëmijëve të bashkëshortit të saj – është e martuar me avokatin Doug Emhoff, i cili tani do të jetë zotëria i dytë – një pozicion krejtësisht i ri në historinë e Shtëpisë së Bardhë. Dhe ndërsa puna më e rëndësishme për një nënpresidente është të jetë gati të marrë rolin e presidentit nëse është e nevojshme, analistët thonë se Kamala Harris mund të trumpetojë arritjet e saj historike.

“Ajo mund të jetë një grua-shteti që do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara jashtë, por mendoj se ajo ashtu do të udhëtojë kudo edhe brenda Shteteve të Bashkuara, për të përhapur simbolikën e asaj që po bën”, thotë Barbara Perry.

Një rol i ri global në Shtëpinë e Bardhë – që po festohet deri në gjysmën tjetër të botë, në fshatin e paraardhësve të saj në Indi.

SHBA, shkon në 244.519 numri i të vdekurve nga COVID-19

New York

Numri i personave të vdekur nga koronavirusi i ri (COVID-19) në SHBA është rritur në 244.519, prej të cilëve 722 kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

SHBA vazhdon të mbetet vendi me numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara dhe të viktimave.

Të dhënat nga faqja e internetit “Worldometer” tregojnë se në 24 orët e fundit, numri i të infektuarve me koronavirus në SHBA është rritur për 132.627, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 10.428.517.

Ndërkaq, në mbarë vendin, deri më tani janë shëruar mbi 6,55 milionë të infektuar, ndërsa numri i testeve ka arritur në mbi 159 milionë.

Aktualisht, shteti i Teksasit është më i godituri në SHBA, me 1.030.227 raste të konfirmuara, ndërkohë që numri më i lartë i vdekjeve është regjistruar në New York, me gjithsej 33.853 viktima.

Pas SHBA-së, numrin më të madh të të infektuarve e kanë regjistruar India me mbi 8,59 milionë raste dhe Brazili me mbi 5,67 milionë.

Agjencia qeveritare e ngarkuar me tranzicionin nuk e ka njohur fitoren e zotit Biden

Ken Bredemeier

Ndërsa Presidenti Donald Trump ka refuzuar të pranojë humbjen e zgjedhjeve dhe pretendon për manipulime në numërimin e votave, administrata e tij ende nuk ka filluar të ndihmojë fituesin e parashikuar, Presidentin e zgjedhur Joe Biden, në fazat fillestare të marrjes së kontrollit të qeverisë.

Emily Murphy, Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme

Emily Murphy, Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme

Agjencia qeveritare që njihet shkurtimisht si GSA ose Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme, ka përgjegjësinë për të njohur zyrtarisht zotin Biden si presidentin e ri dhe për të filluar procesin e kalimit të pushtetit, që zyrtarisht bëhet ditën përurimit të presidentit me 20 janar. Agjencia cakton zyrat për ekipin e tranzicionit të zotit Biden në mjediset qeveritare dhe ndihmon në detyra të tjera të nevojshme. Por Emily Murphy, kreu i agjencisë nuk e ka filluar procesin.

Një zëdhënës i Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme (GSA) tha se agjencia nuk do të fillojë procesin e tranzicionit deri sa fitorja e zotit Biden të çertifikohet zyrtarisht, por është e paqartë se kur mund të ndodhë kjo, meqënëse ende vazhdon numërimi i votave në një pjesë të madhe të vendit.

Rezultati i zgjedhjeve është i paqartë vetëm në pak shtete dhe organizatat kryesore të medias kanë nxjerrë demokratin Biden si fitues. Presidenti Trump nuk ka pranuar të njohë rezultatin ndërsa fushata e tij ka hapur disa padi ligjore duke pretenduar, pa prova deri tani, se parregullsitë në votimet e së martës, dhe ditët pasuese të numërimit të votave i kushtuan atij fitoren e zgjedhjeve.

Zoti Trump shpreson që paditë ligjore do ta ndihmojnë atë të përmbysë rezultatin e votave të fituara nga zoti Biden në Kolegjin Elektoral, që përcakton fituesin e zgjedhjeve presidenciale, dhe jo të votës popullore, megjithëse zoti Biden udhëheq edhe me votën popullore.

Udhëheqësi i shumicës së senatit Mitch McConnell tha të hënën se Presidenti Trump, “ka 100% të drejtë të shqyrtojë akuzat për parregullsi dhe të peshojë alternativat ligjore”. “Institucionet tona janë ndërtuar pikërisht për këtë,” tha zoti McConnel në Senat, ndërsa shtoi se procesi do të zhvillohet dhe “do të arrijë në zgjidhjen e tij”.

Zoti Biden dhe Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris po vazhdojnë me planet e tyre të tranzicionit, fillimisht duke u takuar me ekspertë të shëndetit lidhur me përpjekjet për frenimin e pandemisë së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara. Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, virusi u ka marrë jetën 237 mijë amerikanëve ndërsa 10 milionë të tjerë rezultojnë të infektuar. Ndërkohë, kampi i zotit Biden po kërkon bashkëpunim për tranzicionin nga zyrtarët e Presidentit Trump.

Jen Psaki, ndihmëse e zotit Biden në procesin e tranzicionit

Jen Psaki, ndihmëse e zotit Biden në procesin e tranzicionit

Zonja Jen Psaki, ndihmëse e zotit Biden në procesin e tranzicionit, tha të dielën në rrjetin Twitter se, “Siguria kombëtare dhe interesat ekonomike të Amerikës varen nga sinjalet e qarta dhe të shpejta të administratës se qeveria e Shteteve të Bashkuara do të respektojë vullnetin e popullit amerikan dhe do të angazhohet për një transferim të qetë dhe paqësor të pushtetit.”

Akti i njohjes së “fituesit të pritshëm” nga GSA, i hap rrugën ekipit të tranzicionit të adminisitratës së re të ketë qasje në kompjuterat qeveritarë, i siguron atij mbështetje logjistike, si dhe i paguan pagat.e tyre. Buxheti i tranzicionit për këtë vit është parashikuar në 10 milionë dollarë.

Zyrtarët e rinj pajisen me adresë emaili qeveritare dhe kanë zyra në çdo agjenci qeveritare. Zyrtarët po ashtu mund të fillojnë të plotësojnë formularët përkatës mbi të ardhurat financiare dhe konfliktet e interesit, para se të marrin detyra e reja qeveritare.

Qendra për Tranzicionin Presidencial, një organ jopartiak, po ashtu u kërkoi zyrtarëve të administratës së zotit Trump që të “fillojnë menjëherë procesin e tranzicionit paszgjedhor, që ekipi i zotit Biden të përfitojë plotësisht nga burimet e disponueshme sipas Aktit të Tranzicionit Presidencial”. Grupi tha se, “Kjo ishte një fushatë e ashpër, por historia është e mbushur me shembuj të presidentëve që dolën nga fushata të tilla dhe që ndihmuan me mirësjellje pasardhësit e tyre.”


Send this to a friend