Anëtarët e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve do të mblidhen të mërkurën në një seancë të përbashkët të Kongresit për të numëruar dhe certifikuar votat elektorale që rezultuan nga zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
Ky veprim rutinë dhe përgjithësisht ceremonial që normalisht do të zyrtarizonte fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhje pasi Kolegji Elektoral më 14 dhjetor e zgjodhi zyrtarisht kandidatin demokrat si fitues në këtë cikël zgjedhor, këtë radhë është kthyer në një provë të besnikërisë së republikanëve ndaj Presidentit Trump. Mbi 100 ligjvënës besnikë të presidentit pritet ta sfidojnë procesin e certifikimit. Ja çfarë pritet gjatë seancës.
Si Zhvillohet Zakonisht Seanca?
Në bazë të Amendamentit të 12-të, të dyja Dhomat e Kongresit mblidhen për të numëruar dhe certifikuar rezultatin e Kolegjit Elektoral bazuar në votat e 50 shteteve dhe të kryeqytetit, Uashington.
Përfaqësues republikanë e demokratë në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve caktohen si “zëdhënës” të secilës Dhomë. Nënpresidenti Mike Pence, në kapacitetin e presidentit të Senatit, drejton seancën. Në mungesë të tij, senatori më me vjetërsi në partinë që ka shumicën, në këtë rast Senatori republikan Chuck Grassley nga Ajova, udhëheq seancën.
Ndihmës në Senat – nxënës nga shkolla të mesme nga të gjithë SHBA – sjellin kuti druri të mbushura me votat elektorale të certifikuara nga të 50 shtetet. Zyrtari që drejton seancën hap punimet dhe prezanton certifikatat e vulosura sipas radhës alfabetike. “Zëdhënësi” i secilës Dhomë lexon certifikatën me zë të lartë për të regjistruar zyrtarisht numrin e votave.
Procesi vazhdon deri kur të gjitha votat të jenë prezantuar dhe numëruar. Më pas, drejtuesi i ceremonisë njofton kush ka siguruar shumicën për president dhe nënpresident.
Si pritet të zhvillohet seanca këtë radhë?
Në një përpjekje të fundit për të mbajtur Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë, më shumë se 100 republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe mbi 10 në Senat kanë thënë se do të kundërshtojnë numrimin e votave elektorale nga gjashtë shtete të lëkundura që i fitoi zoti Biden (Arizona, Xhorxhia, Miçigani, Nevada, Pensilvania dhe Uiskonsini ) dhe do të kërkojnë ngritjen e një komisioni për një auditim të rezultateve zgjedhore.
Pjesa më e madhe e senatorëve që kanë në plan të kundërshtojnë përfaqësojnë shtete ku Presidenti Trump mbetet shumë popullor.
Kjo sfidë pritet të dështojë pasi demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe janë të bashkuar në mbështetje të zotit Biden. Senati, megjithëse kontrollohet me një shumicë të vogël nga republikanët, nuk ka gjasa të votojë në favor të këtyre manovrave, pasi një numër senatorësh republikanë kanë thënë se janë kundër tentativave për të mos përfshirë votat elektorale të ndonjë shteti.
Sipas rregullores, çdo kundërshti mund të debatohet deri në dy orë; po ashtu duhet kohë që të numërohen votat në secilën Dhomë. Si rezultat, kjo ceremoni zakonisht e shkurtër, do të kthehet në një seancë të tejzgjatur.
Jason Grumet, president i Qendrës për Politika Dypartiake e quan këtë manovër të republikanëve “shumë shqetësuese”.
“Nuk është konservatore, nuk është partiake, nuk është patriotike,” tha zoti Grumet. “Kjo është një përpjekje egoiste nga disa politikanë ambiciozë që po sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve, të cilat sipas shumë burimesh janë zhvillur shumë në rregull”.
Ekipi zgjedhor i presidentit dhe aleatët e tij kanë ngritur 61 padi për të sfiduar rezultatin e zgjedhjeve në një numër shtetesh. Ata kanë humbur 60 prej padive, pasi nuk kanë ofruar prova që mbështesin pretendimet për manipulime apo parregullsi.
Çfarë roli ka luajtur presidenti në këtë situatë?
Presidenti, i cili ka siguruar 232 vota elektorale krahasuar me 306 që fitoi zoti Biden, nuk e ka pranuar humbjen. Ai u ka bërë presion republikanëve në Kongres dhe zyrtarëve të përmbysin rezultatin, shpesh duke përdorur forcën e popullaritetit të tij në elektorat, duke kërcënuar republikanët se mund t’u dëmtojë shanset e rizgjedhjes në të ardhmen.
Presioni i presidentit dëgjohet qartë në telefonatën e së shtunës ku i kërkon republikanit Brad Raffensperger, sekretar i shtetit në Xhorxhia të “gjej” vota të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin.
Në një konferencë për shtyp të hënën, Gabriel Sterling, menaxher i aplikimit të procesit zgjedhor në Xhorxhia, tha se sekretari i shtetit e publikoi regjistrimin e bisedës “i nxitur nga synimi për të qenë sa më i kujdesshëm” duke pasur parasysh klimën politike dhe veprimet e presidentit në të kaluarën.
“Nganjëherë ai (Presidenti Trump) nuk i interpreton gjërat ashtu siç ndodhën,” tha zoti Sterling.
Zoti Trump, i cili i quan republikanët që refuzojnë ta mbështesin atë “Grupi i të Dorëzuarve”, gjithashtu i bëri thirrje zotit Pence të ndërmarrë veprime për të përmbysur zgjedhjet, pavarësisht se kushtetuta amerikane e përcakton rolin e Nënpresidentit në numërimin e votave elektorale të shteteve kryesisht si ceremonial.
((https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1346488314157797389))
“Shpresoj që nënpresideti ynë i madh do të na mbështesë. Ai është një burrë i shkëlqyeshëm”, tha Trump në një tubim në Xhorxhia të hënën në mbrëmje. “Sigurisht, nëse ai nuk na mbështet, kjo nuk do të më pëlqente shumë.”
Presioni nga Presidenti e ka vendosur në një pozitë të vështirë Nënpresidentin Pence, i cili deri më tani ka demonstruar besnikëri të palëkundur ndaj zotit Trump.
David C. Barker, drejtori i Qendrës për Studime mbi Kongresin dhe Presidencën në Universitetin Amerikan, tha se nëse zotin Pence dëshiron të jetë një kandidat me peshë për president në 2024, ai mund të duhet të bashkohet me korin e ligjvënësve republikanë që vazhdojnë të mbështesin Presidentin Trump.
“Ai mund të arrijë në përfundimin se për të ka më rëndësi ndërgjegja sesa karrierën e tij”, tha zoti Barker. “Do ta shohim”, shtoi ai.
Presidenti gjithashtu u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të mblidhen në Uashington të mërkurën, duke bërë që kryetarja e bashkisë së qytetit t’u bëjë thirrje banorëve që “të mos të përballen me protestuesit që vijnë në qytetin tonë duke kërkuar konfrontim”.
Të martën në mbrëmje, Trump tha se ai planifikon të mbajë një fjalim para protestuesve jashtë Shtëpisë së Bardhë të mërkurën.
A ka ndodhur kjo më parë?
Demokratët filluan kundërshtime në shkallë të vogël dhe jetëshkurtër ndaj numërimit të votave elektorale në 2001, 2005 dhe 2017.
Në vitin 2001, dhjetra anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve u përpoqën të kundërshtonin votat elektorale të Floridës, shteti ku Nënpresidenti Al Gore humbi garën ndaj republikanit George W. Bush me një diferencë të vogël, pas një beteje të rinumërimit të votave që u vendos nga Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara. Në cilësinë e tij si president i Senatit, Gore hodhi poshtë kundërshtimet dhe e shpalli zotin Bush fitues të zgjedhjeve.
Në 2005, senatorja demokrate nga Kalifornia, Barbara Boxer së bashku me ligjvënësen demokrate nga Ohajo, Stephanie Tubbs Jones kundërshtuan votat elektorale të shtetit të Ohajos. Kjo përpjekje dështoi me një diferencë të madhe në të dyja dhomat e kongresit dhe nuk u mbështet madje as nga kandidati demokrat për president, John Kerry.
Disa demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve kundërshtuan votat për zotin Trump në disa shtete në vitin 2017, por u kundërshtuan nga Nënpresidenti i atëhershëm Joe Biden.
Kundërshtimi nuk ka gjasa të ketë sukses, por çfarë ndodh nëse ka sukses?
Presidenti Trump dhe aleatët e tij shpresojnë që sfida të rezultojë në heqjen e disa prej votave elektorale të zotit Biden, duke i ulur ato nën pragun prej 270 votash elektorale të nevojshëm për të fituar presidencën.
Sipas amandamentit të 12-të të Kushtetutës, nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën absolute të votave elektorale, Dhoma e Përfaqësuesve kërkohet që të filloi një seancë menjëherë për të zgjedhur presidentin.
“Nuk ka absolutisht asnjë shans që kjo përpjekje, e cila në thelb është teatër politik, të parandalojë Joe Biden-in të bëhet president i Shteteve të Bashkuara”, thotë zoti Grumet nga Qendra e Politikave Dypartiake.
Por zoti Grumet tha se kjo përpjekje është e dëmshme për demokracinë amerikane.
“Precedentët e vegjël të këqij shpesh bëhen precedentë të mëdhenj të këqij”, tha zoti Grumet. “Shpresojë se ne nuk kemi krijuar një traditë qënë thelb ia mundëson palës humbëse të vërë në dyshim legjitimitetin e dhjetëra miliona votuesve amerikanë.”
Kundërshtimi ka thelluar gjithashtu përçarjen midis republikanëve tradicionalë dhe atyre populistë që po përpiqen të marrin drejtimin e partisë.
“6 janari do të jetë hapi i parë në një përpjekje afatgjatë për të përcaktuar shpirtin e Partisë Republikane”, thotë anketuesi republikan Whit Ayers.
Ajo që pason do të varet nga ajo që bën Presidenti Trump pasi të largohet nga detyra, tha zoti Ayers. “Sa aktiv do të mbetet dhe sa ndikim politik do të ketë në kohën kur nuk do të ketë fuqinë e presidencës në dispozicion të tij”, shtoi ai.
Kur do të përfundojë kjo sfidë?
Pavarësisht votimit të certifikimit që mund të zvarritet për ditë me radhë dhe disa sfidave ligjore të presidentit ende në pritje të vendimeve nga gjykata, më 20 janar, Shtëpia e Bardhë me siguri thuajse të plotë do të ketë një banor të ri pasi zoti Biden do të bëjë betimin si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.