VOAL

VOAL

Gjenerali i lartë e quan tërheqjen dhe evakuimin nga Afganistani, një “dështim strategjik”

Carla Babb

Zyrtarë të lartë të ushtrisë amerikane po vazhdojnë sot të japin dëshmi në Kongres mbi tërheqjen dhe evakuimin e ushtrisë amerikane nga Afganistani. Në seancën e djeshme në Senat, gjenerali Mark Milley e cilësoi evakuimin si “një sukses logjistik, por edhe si një dështim strategjik”.

Gjenerali i lartë amerikan të martën e vlerësoi prerazi misionin e evakuimit në Afganistan …

“Ishte një sukses logjistik, por një dështim strategjik”.

Ndërsa për përfundimin e luftës në përgjithësi….

“Një dështim strategjik. Armiku është në krye të Kabulit. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta përshkruar – kjo është pasojë e gabimeve të akumuluara në 20 vjeteve, jo 20 ditë”.

Gjenerali Milley, së bashku me shefin e Komandës Qendrore, Gjeneral Frank McKenzie, thanë se ata personalisht kishin kërkuar që të mbaheshin minimumi 2.500 trupa në Afganistan.

“Vlerësimi im daton në vjeshtën e 2020-ës dhe mbeti i pandryshuar gjatë gjithë kohës. Ne duhet të mbanim një prani të qëndrueshme prej 2.500 trupash, që mund të shkonte deri në 3.500, për të shkuar më pas drejt një zgjidhjeje të negociuar”, tha general Milley.

“Unë rekomandova që të mbanim 2,500 trupa në Afganistan. Dhe gjithashtu rekomandova më herët në vjeshtën e vitit 2020 që të mbanim 4.500 në atë kohë. Këto janë pikëpamjet e mia personale. Unë gjithashtu kisha mendimin se tërheqja e atyre forcave do të çonte në mënyrë të pashmangshme në kolapsin e forcave ushtarake afgane dhe përfundimisht të qeverisë afgane”, tha gjenerali Frank McKenzie.

Pohimet e gjeneralëve ishin në kontrast me ato të Presidentit Joe Biden, i cili ka thënë se nuk i kujtohej asnjë këshilltar i tij që e kishte nxitur të mbante një forcë të vogël ushtarake amerikane në Afganistan.

Shtëpia e Bardhë të martën mbrojti përsëri vendimin për të larguar të gjitha trupat nga Afganistani.

“Nëse do të kishim mbajtur 2,500 trupa atje, do të kishim rritur numrin e tyre, do të kishim luftuar me talebanët, do të kishim më shumë viktima. Ky ishte një realitet i qartë për të gjithë”, tha zëdhënësja Jen Psaki.

Si republikanët ashtu edhe demokratët kritikuan ashpër administratën që la pas amerikanë dhe aleatë afganë edhe pasi presidenti tha se nuk do ta bënte një gjë të tillë.

Ata gjithashtu bënë pyetje të mprehta mbi të ardhmen e luftës kundër terrorizmit atje.

A është bërë më e vështirë detyra e ushtrisë për të mposhtur kërcënimet terroriste nga Afganistani?, pyeti senatorja republikane Joni Ernst.

-Po, u përgjigj gjeneral Milley.

A kanë talebanët dhe partnerët e tyre terroristë më shumë aftësi për t’u stërvitur dhe përgatitur në Afganistan tani që jemi larguar?

Milley: Po.

“A jeni të sigurt se ne mund t’u mohojmë organizatave si al-Kaida dhe ISIS-i aftësinë për ta përdorur Afganistanin si bazë për aktivitetet terroriste?”, pyeti senatori demokrat Mark Kelly.

“Kjo mbetet ende për t’u parë”, u përgjigj gjenerali Frank McKenzie.

Ushtria është vënë nën kritika të ashpra për sulmin e saj të gabuar me dron në ditët e fundit të tërheqjes që vrau 10 civilë, një sulm për të cilin gjenerali McKenzie ka marrë përgjegjësinë.

Zyrtarët e lartë të mbrojtjes gjithashtu përsëritën faktin se inteligjenca amerikane kishte dështuar të parashikonte rënien e shpejtë të Kabulit.

Por në mësimet e nxjerra, ata kishin një mesazh për udhëheqësit civilë të Amerikës.

“Unë do të këshilloja çdo udhëheqës: Mos vendosni data të caktuara ose data përfundimi për operacionet. Bëjini gjërat të bazuara në kushtet në terren dhe tdy presidentë rradhazi [Trump dhe Biden] vendosën data të caktuara”, tha gjenerali Mark Milley.

…dhe për udhëheqësin e larguar afgan Ashraf Ghani.

“Kur presidenti i vendit largohet papritmas në mes të fushatës për të mbrojtur kryeqytetin, mendoj se i jep fund çdo shansi për të patur sukses”, tha gjenerali Frank McKenzie.

Gazeta prestigjioze zvicerane NZZ: “Muaji i mjaltit i Europës me Joe Biden ishte jetëshkurtër. – Politikat e Biden po vënë në rrezik marrëdhëniet SHBA-Europë –

voal.ch – Gazeta prestigjioze zvicerane NZZ ka botuar sot një opinion nga Markus Ziener, Washington me titull “politikat e Biden po vënë në rrezik marrëdhëniet SHBA-Europë”. Autori shkruan se “SHBA duan që t’i forcojnë lidhjet me aleatët Europianë, por ata janë të zhgënjyer me Presidentin Biden. Më tutje autori në opinionin e tij në NZZ, nënvizon faktin se “Muaji i mjaltit i Europës me Joe Biden ishte jetëshkurtër. Tërheqja e nxituar e Amerikës nga Afganistani, pa u këshilluar me aleatët, i ka zemëruar liderët Europian. Për shembull, Biden do ta ketë të vështirë të gjejë mbështetje për qëndrimin e tij të ashpër ndaj Kinës, për shembull.”

“Kur Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt se “Amerika është kthyer”, psherëtima e lehtësimit ishte e dukshme. Pas katër vitesh të Donald Trump, të shënuar nga mosinteresimi në rastin më të mirë dhe shpesh nga shpërfillja e hapur për Evropën, kjo periudhë e ftohtë tani dukej se kishte marrë fund.

“Unë e di se vitet e fundit kanë tensionuar dhe testuar marrëdhënien tonë transatlantike,” u tha Biden pjesëmarrësve të konferencës në Mynih. Por ai tha se Shtetet e Bashkuara tani ishin të vendosura të ribashkoheshin me Evropën dhe se donin të rimerrnin pozicionin e tyre si një udhëheqës i besuar. Vëzhguesit ishin të prirur ta besonin fjalën e presidentit amerikan me këtë angazhim, duke ardhur nga dikush me një njohje kaq të thellë me marrëdhëniet trans-atlantike.

Kjo kishte ndodhur gjashtë muaj më parë. Ndërsa sot zhgënjimi ka zënë vend gjithnjë e më shumë. Shumë nga të dy anët e Atlantikut e kishin imagjinuar kthimin e Amerikës krejt ndryshe.

Sidoqoftë, është mënyra se si Shtetet e Bashkuara trajtuan tërheqjen nga Afganistani që është provuar të jetë një goditje më e madhe për marrëdhëniet trans-atlantike. Biden nuk ishte i gatshëm të rinegociojë marrëveshjen katastrofike të Dohas me talebanët që paraardhësi i tij arriti në shkurt 2020. Në këtë marrëveshje, Uashingtoni de facto kishte rënë dakord për një tërheqje të pakushtëzuar. Për më tepër, karakteri i tërheqjes së trupave amerikane u diktua nga Shtetet e Bashkuara, duke i lënë aleatët e saj të përballonin sa të mundnin.

Në një gjykim të gabuar të plotë të aftësisë luftarake të ushtrisë afgane, SHBA bëri një dalje të nxituar nga angazhimi 20-vjeçar në Afganistan që bëri që partnerët e NATO-s të dukeshin pak më shumë se shtojcat e Amerikës. Ndërsa vendet aleate kishin bërë vetë gabime të shumta, tërheqja kaotike në fund la një pasqyrë shkatërruese në vazhdën e saj. A thua se “Amerika është kthyer” – me të vërtetë?” (Source NZZ)/EB

Zyrtari amerikan jep dorëheqje: DASH po fut hundët në punët e brendshme të Haitit, rezultatet janë katastrofike

I dërguari i posaçëm i SHBA për Haitin ka dhënë dorëheqjen, duke shkaktuar një ‘tërmet’ në vend

Daniel Foote ka publikuar një letër ku dënon trajtimin çnjerëzor që po u bëhet emigrantëve nga Haiti.

BBC, që e ka lajm të parë letrën, shkruan se akuzat e Foote janë bombastike.

Ai shkruan se Haiti është një shtet në kolaps, kurse SHBA vazhdon të deportojë emigrantët.

Pamjet e haitianëve në këto kampe të deportimit kanë tronditur botën dhe kanë sjellë kritika të forta ndaj administratës së Biden.

Në letrën e dorëheqjes që Foote ia dërgon kreut të Departamentit të Shtetit, Antony Blinken, thuhet Haiti është në gjendje katastrofike për shkak të ndërhyrjes së SHBA në punët e brendshme.

Sipas tij, amerikanët kanë deklaruar mbështetje për një kryeministër të pavotuar.

“Krenaria që na bën të besojmë se duhet të zgjedhim fituesin – përsëri – është mbresëlënëse.  Ky cikël i ndërhyrjeve politike ndërkombëtare në Haiti ka prodhuar vazhdimisht rezultate katastrofike,” shkruan Foote.

Pikëpyetje mbi qëndrimin e administratës Biden ndaj migrantëve haitianë

Deana Mitchell

Administrata e Presidentit Biden po përdor një politikë të debatueshme si bazë për dëbimin masiv të më shumë se 12,000 haitianëve që kanë mbërriur në kufirin jugor amerikan me Meksikën në përpjekje për të kërkuar azil.

Këta emigrantë haitianë janë me fat. Ata janë ndër të paktët që do të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara – tani për tani – ndërsa qeveria po dëbon shumicën e mbi 12,000 emigrantëve që kanë arritur në këtë pikë kufitare.

Mbështetësit thonë se duket se emigrantët më të rrezikuar nuk po dëbohen. Emigrantja hatitiane Micheline Bautiste tregon për Zërin e Amerikës përpjekjet për mbërritur në Shtetet e Bashkuara.

“Kaluam në këmbë kodra, lugina e lumenj. Ishte shumë e vështirë por falë Zotit jam këtu.”

Duke lënë djalin 13-vjeçar në Haiti, ajo jetoi në Kili për tre vjet duke shitur nëpër rrugë. Kur dëgjoi se njerëzit po shkonin në Shtetet e Bashkuara, ajo vendosi të nisej me ta.

E nisur nga Brazili, Mariange Verna eci për dy muaj. Gjashtë ditët e fundit nën urën që lidh Amerikën me Meksinën, thotë ajo, kanë qënë tejet të vështira.

“Në tre ditët e fundit kam ngrënë vetëm një herë.”

Guerline Jozef drejton grupin që mbështet migrantët “Aleanca e Urës Haitiane” me qendër në San Diego të Kalifornisë. Ajo shkoi në Teksas për të ndihmuar.

“Gratë po lindin nën urë – është e tmerrshme. Si një nënë, si një grua, si një haitiane, si një Amerikane, si një grua me ngjyrë, ajo që po shikoj është e papranueshme”.

Mbështetësit e emigracionit po e kritikojnë si diskriminues përdorimin nga ana e administratës Biden të një urdhri të debatueshëm shëndetësor të vendosur nga administrata Trump.

Urdhri mbështetet tek një ligj i shëndetit publik dhe lejon dëbimin e migrantëve si rezultat i pandemisë. Joseph Makhandal Champagne është avokat për çështjet e imigracionit.

“Urdhri po i jep qeverisë amerikane liri të plotë për t’i dëbuar ata njerëz pa dëgjuar kërkesat dhe lutjet e tyre”.

Administrata Biden po sfidon urdhërin e një gjykatësi federal për të ndaluar përdorimin e urdhrit për kthimin mbrapsht të familjeve me fëmijë. Urdhri përcakton një afat dyjavor për veprimin e administratës. Sekretarja e shtypit Jen Psaki shprehu qendrimin e Shtëpisë së Bardhë.

“Kemi thënë se kjo nuk është koha për të ardhur. Nuk bëhet fjalë vetëm për njerëzit në Shtetet e Bashkuara, por edhe për mbrojtjen e migrantëve që do të vinin në grupe masive”.

Disa thonë se urdhëri po përdoret në mënyrë selektive. Profesoresha e drejtësisë në Universitetin Vanderbilt, Karla McKanders thotë se kohët e fundit disa migrantëve venezuelianë u është lejuar intervista për azil. Ajo foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Zoom.

“Njerëzit po pyesin se pse shtetasit haitianë nuk kanë të njëjtën të drejtë.”

Pamjet befasuese të punonjësve të kufirit mbi kuaj shkaktuan kritika. Një zëdhënës i administratës Biden ka thënë se kjo është e papranueshme dhe se autoritetet do të zhvillojnë hetime. Imazhet janë veçanërisht të dhimbshme duke pasur parasysh historinë racore të Shteteve të Bashkuara, thotë zonja Guerline Jozef me organizatën “Haitian Bridge Alliance”

“Njerëz mbi kuaj që përpiqen të kapin njerëzit me ngjyrë në kufi, kjo nuk është barazi racore.”

Ndërsa ky grup i vogël ishte në gjendje të qëndronte në Shtetet e Bashkuara tani për tani, shumë të tjerë po kthehen atje nga janë nisur.

Kamxhiku kundër emigrantëve

Disa orë pas debutimit të Joe Biden para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, një rast vë në siklet administratën e tij, politikën e tij të migracionit dhe në veçanti ministrin Alejandro Mayorkas, ndër të tjera bir i refugjatëve Kubanë: janë ato fotografi të lëshuara nga media në SHBA që tregojnë oficerët e policisë kufitare mbi kalë duke përdorur kamxhikun për të larguar emigrantët në kufirin meksikan pranë Del Rio, Teksas.

Një krizë e re humanitare është duke u zhvilluar atje, me ardhjen e mbi 10.000 njerëzve, kryesisht haitianë.

Sipas Mayorkas, rreth 4,000 prej tyre të pastrehë u transferuan në strehimore.

Imazhe “të tmerrshme për t’u parë”, pranoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

“Unë kam parë vetëm disa, por nuk e kam kontekstin e plotë, por nuk mund ta imagjinoj se çfarë konteksti do t’i bënte ata të përshtatshëm,” tha ajo.

Reagimet erdhën gjithashtu nga disa parlamentarë demokratë.

Sekretari i Shtetit Anthony Blinken diskutoi situatën të hënën me kryeministrin Haitian Ariel Henry dhe homologun e tij meksikan Marcelo Ebrard.

Sipas Mayorkas, haitianët kanë marrë informacion të rremë në lidhje me mundësinë e qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, pasi “kufijtë nuk janë të hapur dhe ata do të riatdhesohen”./RSI.ch/eb

 

Shtëpia e Bardhë reagon pasi Franca e tërhoqi ambasadorin

Shtëpia e Bardhë ka reaguar pas vendimit të Francës për ta tërhequr ambasadorin nga Uashingtoni për shkak të pakënaqësisë së Parisit rreh një pakti trepalësh të ShBA-së me Britaninë e Madhe e Australinë.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha të premten se Shtetet e Bashkuara shprehin keqardhje për vendimin e Francës për tërheqjen e ambasadorit dhe do të vazhdojnë që të angazhohen në ditët në vijim për t’i zgjidhur dallimet mes dy shteteve, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Franca i tërhoqi ambasadorët nga Shtetet e Bashkuara dhe Australia, pasi kjo e fundit bëri marrëveshje me Britaninë e Madhe dhe ShBA-në për prodhimin e nëndetëseve me energji bërthamore.

Ky pakt i dha fund marrëveshjes që Australia e kishte nënshkruar më parë me një kompani franceze për të njëjtin qëllim. Vlera e marrëveshjes ishte 40 miliardë dollarë.

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, pas marrëveshjes e krahasoi presidentin amerikan, Joe Biden, me paraardhësin e tij, Donald Trump, dhe tha se pakti trepalësh është “thikë pas shpine” për Francën, vendim absurd dhe i njëanshëm.

Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara janë munduar që ta zbusin zemërimin e Francës. Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, tha se Franca mbetet partnere jetike në rajonin e Indiano-Paqësorit.

SHBA pranon se sulmi me dron në Kabul ishte një “gabim tragjik”

Jeff Seldin

Një sulm me dron i kryer gjatë orëve të fundit të evakuimit të Shteteve të Bashkuara nga Afganistani nuk vrau një terrorist të prirur për të sulmuar aeroportin ndërkombëtar në Kabul, dhe në vend të tij vrau deri në 10 civilë, përfshirë një punonjës të ndihmave dhe shtatë fëmijë.

Pranimi i së premtes nga komandanti i trupave amerikane në rajon pasoi një hetim ushtarak të nxitur nga pretendimet e njerëzve në terren, si dhe njoftimet e mediave, se objektivi i goditur më 29 gusht nga një raketë e llojit Hellfire nuk përbënte një kërcënim.

“Kjo goditje u ndërmor me besimin e sinqertë se do të parandalonte një kërcënim të menjëhershëm për forcat tona dhe personat që po evakuoheshin në aeroport”, u tha gazetarëve në Pentagon gjenerali Kenneth “Frank” McKenzie, komandanti i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, nëpërmjet një lidhjeje videofonike. “Hetimi ynë tani arriti në përfundimin se goditja ishte një gabim tragjik”, tha ai.

“Ne tani vlerësojmë se nuk ka gjasa që automjeti ose ata që vdiqën të ishin të lidhur me ISIS-K”, shtoi Mckenzie, duke përdorur një akronim për filialin e grupit terrorist të Shtetit Islamik në Afganistan, i njohur gjithashtu si IS-Khorasan.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin gjithashtu kërkoi falje për sulmin e gabuar.

Lloyd Austin

Lloyd Austin

“Në emër të burrave dhe grave të Departamentit të Mbrojtjes, unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për anëtarët e familjeve të atyre që u vranë”, tha Sekretari Austin në një deklaratë. “Ne kërkojmë ndjesë dhe ne do të përpiqemi të mësojmë nga ky gabim i tmerrshëm”.

Ndjesa është një kthesë dramatike për ushtrinë amerikane, e cila ka mbrojtur sulmin ajror prej javësh të tëra.

Vetëm disa ditë pas sulmit, oficeri ushtarak më i lartë amerikan, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Mark Milley, e mbrojti sulmin si “të drejtë”.

“Ne e dimë nga një sërë mjetesh të tjera se të paktën një nga ata njerëz që u vranë ishte një koordinator i ISIS-it”, u tha zoti Milley gazetarëve në Pentagon më 1 shtator. “Procedurat u ndoqën në mënyrë korrekte”.

Edhe atëherë, rrëfimet nga terreni po tregonin një histori të ndryshme – se në vend që të vriste një koordinator të IS-Khorasan, sulmi amerikan me dron në fakt kishte hedhur në erë Ezmarai Ahmadin, një punonjës ndihmash në organizatën Nutrition and Education International me qendër në Kaliforni, i cili kishte aplikuar për t’u zhvendosur në Shtetet e Bashkuara.

Anëtarët e familjes thanë se viktimat e tjera përfshinin vajzën e Ahmadit, si dhe nipërit dhe mbesat.

Hetime të tjera nga gazetat The New York Times dhe The Washington Post hodhën dyshime të mëtejshme ndaj qëndrimit amerikan se goditja kishte eliminuar një terrorist të grupit IS-Khorasan.

Hetimi i gazetës Times përcaktoi se makina, një Toyota Corolla e bardhë, për të cilën zyrtarët amerikanë menduan se ishte e mbushur me eksploziv, në të vërtetë mbante kanistra uji. Dhe ndalesat e dyshimta që kishte bërë Ahmadi ndërsa Shtetet e Bashkuara e vëzhgonin nga qielli, ishin ndalesa për të marrë kolegë dhe për të bërë furnizime me ujë.

“Ne nuk e ndërmorëm goditjen sepse menduam se kishim gabuar. E bëmë goditjen sepse menduam se kishim një objektiv të mirë”, tha Gjenerali McKenzie i Komandës Qendrore (CENTCOM) të premten, duke vënë në dukje atë që ai tha se ishin “mbi 60 raporte të nivelit shumë të lartë për kërcënimin e afërt për forcat tona në Kabul dhe përreth tij”, shumë prej tyre të përqëndruara tek përdorimi i një makine Toyota Corolla të bardhë.

“Është e qartë se të dhënat tona të zbulimit ishin gabuar me këtë Toyota Corollan e bardhë në fjalë”, tha ai.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se ata ende besojnë se kishte një komplot të IS-Khorasan për të sulmuar aeroportin me atë lloj makine nga një nga vendet ku u pa Toyota e Ahmadit. Por, ata tani besojnë se sulmi mund të jetë ndërprerë nga një sulm ajror amerikan ditë më parë që kishte në shënjestër operativët e grupit terrorist në provincën Nangarhar.

McKenzie tha se Shtetet e Bashkuara tani po shikojnë të bëjnë të ashtuquajturat pagesa ex gratia për anëtarët e familjeve që mbijetuan, megjithëse ai pranoi se dorëzimi i dëmshpërblimeve mund të ishte i vështirë pa një prani të Shteteve të Bashkuara në terren.

Komandanti i CENTCOM-it nuk pranoi të thoshte nëse do të ndërmerrej ndonjë masë disiplinore kundër atyre të përfshirë në kryerjen e goditjes, duke thënë se përgjegjësia përfundimtare i takonte atij.

Stema e Komandës Qendrore (CENTCOM)

Stema e Komandës Qendrore (CENTCOM)

Organizatat për të drejtat e njeriut po kërkojnë më shumë.

“Shtetet e Bashkuara tani duhet të angazhohen për një hetim të plotë, transparent dhe të paanshëm për këtë incident”, tha Brian Castner, një këshilltar i lartë për krizat në Amnesty International.

“Kushdo që dyshohet për përgjegjësi penale duhet të ndiqet penalisht në një porces të drejtë gjyqësor”, tha zoti Castner në një deklaratë zyrtare. “Të mbijetuarit dhe familjet e viktimave duhet të mbahen të informuar për përparimin e hetimit dhe të marrin dëmshpërblim të plotë”.

Unioni Amerikan i Lirive Civile (ACLU) tha se sulmi me dron në Kabul duhet të jetë “një thirrje zgjimi”.

“Në këtë goditje, ne shohim jehonën e shumë jetëve të tjera civile të humbura dhe të dëmtuara rëndë, qoftë në luftëra si në Afganistan, apo jashtë tyre, si p.sh. në Somali”, tha Hina Shamsi nga ACLU në një deklaratë.

Disa ligjvënës amerikanë po bëjnë thirrje që të bëhet më shumë.

“Departamenti i Mbrojtjes ka hedhur hapin e parë drejt transparencës dhe llogaridhënies”, tha Ligjvënësi Adam Schiff, kryetar i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, në një deklaratë me shkrim. Ai e quajti sulmin vdekjeprurës me dron “një dështim shkatërrues”.

“Ne duhet të dimë se çfarë shkoi keq në orët dhe minutat para fillimit të goditjes për të parandaluar tragjedi të ngjashme në të ardhmen”, shtoi ai.

“Komisioni i Forcave të Armatosura do të dëgjojë nga zyrtarët e administratës në javët në vijim për tërheqjen kaotike dhe vdekjeprurëse nga Afganistani”, tha senatori James Inhofe, anëtar i lartë i komisionit, në një deklaratë me shkrim.

“Goditja e 29 gushtit tregon se sa të vështira dhe komplekse mund të jenë operacionet kundër terrorizmit, dhe për fat të keq nënvizon se një strategji e llojit ‘mbi horizont’ vetëm do të rrisë kompleksitetin dhe vështirësinë”, tha ai.

Ekzistojnë gjithashtu pikëpyetje në lidhje me të ardhmen e çdo sulmi amerikan kundër terrorizmit në Afganistan, kundër grupeve si IS-Khorasan ose al-Kaida, të cilat tani për tani do të kryheshin “mbi-horizont” – nga bazat amerikane që gjenden orë larg në Lindjen e Mesme.

Por McKenzie tha se rregullat e përfshirjes për sulme të tilla ajrore do të ishin të ndryshme.

Gjenerali Kenneth McKenzie

Gjenerali Kenneth McKenzie

“Ne do të kemi shumë më tepër mundësi se sa kishim nën këtë presion ekstrem kohor për t’i hedhur një sy objektivit … për ta studiuar objektivin me platforma të shumta për të pasur një mundësi për të zhvilluar modelin e zgjatur të jetesës”, tha ai. “Asnjë nga këto gjëra nuk ishte në dispozicion për ne duke pasur parasysh natyrën urgjente dhe të ngutshme të kërcënimit të menjëhershëm për forcat tona.”

Komandanti amerikan tha gjithashtu se përkundër garancive dhe angazhimeve të tyre të përsëritura, talebanët kishin bërë pak për të ndihmuar evakuimin, përveç krijimit të një perimetri të jashtëm të sigurisë rreth aeroportit të Kabulit, i cili “gjithashtu i lejoi ata të kontrollonin njerëzit që përndryshe do të kishin arritur në aeroport”.

Për sa i përket ndonjë ndihme tjetër kundër IS-Khorasan, “nuk di të jenë duke bërë ndonjë gjë për ne tashmë”, tha Gjenerali McKenzie.

Milley: Telefonatat me Kinën ishin “plotësisht” të përshtatshme

Marrë nga Associated Press

Komandanti më i lartë ushtarak amerikan tha të premten se telefonatat që kishte bërë me homologun e tij kinez në muajt e fundit kaotikë të presidencës së Donald Trumpit ishin “plotësisht brenda detyrave dhe përgjegjësive” të punës së tij.

Në komentet e tij të para publike mbi bisedat, Gjeneral Mark Milley tha se telefonatat ishin “rutinë” dhe ishin bërë “për të qetësuar si aleatët ashtu edhe kundërshtarët në rastin në fjalë me qëllimin, që të sigurohet stabiliteti strategjik.” Shefi i Shtabit të Përgjithshëm foli me agjencinë Associated Press dhe një gazetar tjetër që udhëtonin me të në Evropë.

Gjeneral Milley ka qenë në qendër të debateve mes njoftimeve se kishte bërë dy telefonata me gjeneralin Li Zuocheng të ushtrisë kineze për ta siguruar atë se Shtetet e Bashkuara nuk do të hynin në luftë me Kinën.

Përshkrimet e telefonatave të bëra tetorin e kaluar dhe në janar ishin pjesë e fragmenteve nga libri i ri “Peril” i gazetarëve të “Washington Post-it”, Bob Woodward dhe Robert Costa. Sipas librit, gjeneral Milley i tha gjeneralit Li se do ta paralajmëronte atë në rast të një sulmi.

Të premten gjenerali Milley bëri vetëm disa komente të shkurtra në mbrojtje të telefonatave, duke thënë se ai ka në plan të japë një shpjegim më të detajuar për këtë çështje para Kongresit kur të dëshmojë në një seancë nga fundi i shtatorit.

“Mendoj se është më mirë që t’i kem të rezervuara komentet derisa ta bëj një gjë të tillë para ligjvënësve që kanë përgjegjësinë ligjore të ushtrojnë mbikëqyrje ndaj ushtrisë amerikane,” tha gjeneral Milley. “Do të ofroj gjithë informacionin që Kongresi do të më kërkojë pas dy javësh.”

Gjeneral Milley dhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin janë planifikuar të dëshmojnë më 28 shtator para Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, në një seancë që ishte parashikuar të përqendrohej tek tërheqja e ushtrisë amerikane nga Afganistani dhe evakuimi kaotik i amerikanëve, afganëve dhe të tjerëve nga ai vend.

Megjithatë tani zoti Milley pritet të përballet me pyetje të ashpra lidhur me telefonatat të cilat u bënë gjatë muajve të fundit të mandatit të Presidentit Trump, ndërsa ai sfidonte rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.

Telefonata e dytë, më 8 janar, u bë dy ditë pasi një turmë e dhunshme sulmoi Kapitolin e SHBA-së në një përpjekje për të parandaluar Kongresin të certifikonte fitoren e Presidentit Joe Biden.

Një komision i posaçëm i Dhomës së Përfaqësuesve, që po heton trazirat e 6 janarit në Kapitol, ka kërkuar detaje rreth telefonatave të gjeneralit Milley.

Ligjvënësit amerikanë, demokrati Bennie Thompson dhe republikania Liz Cheney, drejtues të komisionit, kanë kërkuar gjithashtu informacione në lidhje me zgjedhjet e nëntorit, transferimin e pushtetit nga zoti Trump tek zoti Biden dhe trazirat.

Gjenerali Milley u emërua shef i shtabit të përgjithshëm nga ish-presidenti Trump në vitin 2019 dhe ka mbetur në atë post në administratën e zotit Biden. Në këtë post, ai është këshilltari kryesor ushtarak i presidentit dhe sekretarit të mbrojtjes.

Shtëpia e Bardhë dhe shefi i Pentagonit kanë thënë se ata vazhdojnë të kenë besim të plotë te gjenerali Milley.

Sipas librit të ri, zoti Milley, i frikësuar nga veprimet e Presidentit Trump në fund të mandatit të tij, telefonoi dy herë homologun e tij kinez për ta siguruar atë se SHBA nuk do të sulmonte Kinën. Njëra telefonatë u bë më 30 tetor, katër ditë para zgjedhjeve. E dyta ishte më 8 janar, më pak se dy javë para inaugurimit të zotit Biden dhe dy ditë pas kryengritjes në Kapitol nga mbështetësit e Trump.

Disa ligjvënës amerikanë kanë thënë se Milley ka tejkaluar autoritetin e tij dhe kanë bërë thirrje që zoti Biden ta shkarkojë atë. Zoti Trump e quajti gjeneralin Milley si tradhtar, dhe “krejtësisht të çmendur” dhe tha se zoti Milley “nuk ia kishte përmendur asnjëherë telefonatat me Kinën.”

Presidenti Biden u tha gazetarëve pasi u bënë të njohura fragmentet e librit se “kam besim të madh te gjeneral Milley.”

Zyra e gjeneralit Milley, në një deklaratë këtë javë, tha se telefonatat kishin për qëllim të përçonin një ndjenjë “sigurie” tek ushtria kineze dhe ishin në përputhje me përgjegjësitë e tij si kreu i shefave të përgjithshëm.

Në deklaratën e zëdhënësit të zotit Milley, thuhej gjithashtu se thirrjet ishin bërë “në koordinim dhe komunikim” me Pentagonin dhe agjencitë e tjera federale.

Sipas librit, një kopje të të cilit e ka agjencia AP, Milley siguroi homologun e tij kinez në telefonatën e parë se “qeveria amerikane është e qëndrueshme dhe gjithçka do të jetë në rregull”. Aty thuhet se ai i tha gjeneralit Li, se “ne nuk do të sulmojmë ose kryejmë ndonjë operacion kinetik kundër jush.”

“Nëse do të sulmojmë, do t’ju telefonoj paraprakisht. Nuk do të jetë surprizë,” citohet të ketë thënë Milley.

Gjenerali Milley foli me një numër udhëheqësish të tjerë ushtarakë në të gjithë botën pas trazirave të 6 janarit; ato përfshinin udhëheqës nga Mbretëria e Bashkuar, Rusia dhe Pakistani. Një përshkrim i telefonatave në janar përmend “disa” homologë të tjerë me të cilët zoti Milley shkëmbeu mesazhe të ngjashme, se qeveria amerikane ishte e fortë dhe në kontroll.

Telefonata e dytë kishte për qëllim të qetësonte Kinën për ngjarjet e 6 janarit. Por sipas librit, nuk kishte qenë aq e lehtë që të qetësohej gjenerali Li, edhe pasi gjenerali Milley i premtoi atij se “ne jemi 100 për qind të qëndrueshëm. Gjithçka është në rregull. ”

Në përgjigje të librit, senatori republikan Marco Rubio, i kërkoi presidentit Biden të shkarkonte gjeneralin Milley, duke thënë se gjenerali punoi për të “sabotuar në mënyrë aktive” ish-presidentin Trump, që ishte komandant i përgjithshëm.

Shtëpia e Bardhë mbron gjeneralin e lartë që shprehu shqetësime për ish-Presidentin Trump

Ken Bredemeier

Të mërkurën Shtëpia e Bardhë i doli në mbrojtje komandantin më të lartë ushtarak amerikan, Kreun e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Mark Milley, përballë thirrjeve për dorëheqjen e tij pasi u bënë publike pjesë të një libri të ri të shkruar nga gazetarët e gazetës Washington Post, Bob Woodward dhe Robert Costa.

Sipas librit, të titulluar “Peril”, gjeneral Milley u kishte thënë zyrtarëve të lartë ushtarakë se çdo urdhër për sulm që mund të jepej nga ish Presidenti Donald Trump në ditët e fundit të presidencës së tij duhet të kalonte përmes tij. Libri zbulon gjithashtu se gjenerali Milley telefonoi dy herë autoritetet kineze për të siguruar Pekinin se nuk kishte ndonjë rrezik se Shtetet e Bashkuara do ta sulmonin atë.

Sipas ligjit amerikan, presidenti është komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të vendit dhe në Shtetet e Bashkuara ka një traditë të kontrollit civil mbi udhëheqësit ushtarakë.

Por gjenerali Milley, duke besuar se gjendja mendore e zotit Trump ishte keqësuar pasi humbi garën për t’u rizgjedhur nëntorin e kaluar, thirri udhëheqësit e tij të lartë ushtarakë në fillim të janarit për t’u siguruar që ata të konsultoheshin me të para se të zbatonin ndonjë urdhër për sulm jashtë vendit nga zoti Trump, sipas librit. Gjenerali Milley nuk i ka kundërshtuar pohimet.

Pasi u bë e ditur të martën se ai kishte kontaktuar Pekinin, zyrtarët e lartë thanë se zoti Milley kishte koordinuar telefonatat me dijeninë e zyrës së sekretarit të mbrojtjes, udhëheqësi civil i Pentagonit.

Zoti Trump nuk dha ndonjë urdhër të tillë për sulm në janar, në prag të largimit nga Uashingtoni dhe marrjes së presidencës nga demokrati Joe Biden, megjithëse ai vazhdon edhe sot e kësaj dite me pretendimet e pabaza se u privua nga një mandat tjetër katërvjeçar për shkak të manipulimeve me votat.

Gjenerali Milley ka vazhduar të drejtojë ushtrinë amerikane gjatë tetë muajve të parë në detyrë të zotit Biden. Por disa ligjvënës republikanë kanë kërkuar dorëheqjen e tij lidhur me incidentet e përshkruara në libër, i cili do të dalë në qarkullim javën e ardhshme.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki hodhi poshtë çdo pretendim se gjenerali Milley kishte shkelur parimin e kontrollit civil mbi ushtrinë. Ajo tha se Presidenti Biden ka “besim të plotë në udhëheqjen e tij, patriotizmin e tij dhe besnikërinë e tij ndaj Kushtetutës.”

Incidentet ndodhën në një kohë kur ish -presidenti “nxiti trazira që çuan në kryengritje dhe një sulm mbi Kapitolin e vendit tonë,” tha ajo. Qindra mbështetës të zotit Trump sulmuan ndërtesën e Kongresit më 6 janar në përpjekje për të mos lejuar ligjvënësit që të certifikonin fitoren e zotit Biden.

Zonja Psaki i quajti trazirat në Kapitol “një nga ditët më të errëta në historinë e kombit tonë.”

Senatori republikan Marco Rubio nga Florida, një kritik i shpeshtë i Biden, bëri thirrje për dorëheqjen e Milley, duke thënë se Milley “punoi për të minuar në mënyrë aktive komandantin e përgjithshëm të forcave të armatosura amerikane” dhe se veprimet e tij ishin tradhti.

“Gjeneral Milley është përpjekur të justifikojë sjelljen e tij të pamatur duke argumentuar se ajo që ai e perceptoi si gjykim të ushtrisë ishte më e qëndrueshme sesa ai i komandantit të saj civil,” i shkruan senatori Rubio zotit Biden.

“Është një precedent i rrezikshëm që mund të përdoret në çdo moment në të ardhmen nga gjeneral Milley ose të tjerë,” tha zoti Rubio. “Rrezikon të godasë parimin e vjetër të vendit tonë të kontrollit civil mbi ushtrinë.”

Një tjetër republikan, senatori Ted Cruz i Teksasit, i quajti zbulimet e librit “thellësisht shqetësuese”.

“Kushtetuta jonë parashikon kontroll civil mbi ushtrinë dhe nëse kryetari i Shtabit të Përgjithshëm po sabotonte në mënyrë aktive komandantin e përgjithshëm dhe u premtonte armiqve tanë se do ta sfidonte komandantin e tij, kjo nuk është plotësisht në përputhje me përgjegjësitë e tij,” tha Cruz.

Por zëdhënësi i gjeneralit Milley, koloneli David Butler, tha se veprimet që thuhet në libër se i ka ndërmarrë shefi i shtabit ishin brenda kufijve normalë, duke vënë në dukje se ai konsultohet rregullisht me shefat e mbrojtjes në të gjithë botën, përfshirë ata në Kinë dhe Rusi.

“Gjeneral Milley vazhdon të veprojë dhe këshillojë brenda autoritetit të tij në traditën e ligjshme të kontrollit civil të ushtrisë dhe betimit të tij ndaj Kushtetutës,” tha zoti Butler në një deklaratë për shtyp.

Senatorë Republikanë kërkojnë dorëheqjen e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, të Mbrojtjes Austin dhe Këshilltarit të Sigurisë Sullivan

voal.ch – Sekretari i Shtetit Antony Blinken dëshmoi për dy ditë rresht, më 13 shtator përpara Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Kongresit Amerikan dhe më 14 shtator përpara Senatit në lidhje se si e kishte drejtuar administrata e Presidentit Biden tërheqjen e SHBA nga Afganistani.

“Ne nuk trashëguam një plan”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken në Kongres më 13 shtator përpara Kongresit.

Sipas gazetës New York Times: “Blinken është grilluar në Kongres”.

Sipas Euronews.com Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken përsëriti argumentin e Presidentit Joe Biden se SHBA u përball me një zgjedhje midis përshkallëzimit ose tërheqjes. Republikanët e grilluan Blinken për atë që ata e quajtën një “fatkeqësi të përmasave epike”. Kongresmeni republikan Michael McCaul iu referua tërheqjes së shpejtë nga Kabuli si një “debakl, një katastrofë dhe një tradhti”. Ndërkohë, Sekretari Blinken mbrojti veprimet e administratës Biden gjatë muajve të fundit në Afganistan.

Anëtari i Komitetit të Kongresit për Marrëdhëniet me Jashtë Republikani Michael McCaul gjatë seancës dëgjimore me Sekretarin e Shtetit Blinken tha se ai do të kërkojë që të hetohet tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani.

Ndërsa sipas New York Post Senatori Josh Hawley ka kërkuar dorëheqjen e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin dhe Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan për shkak të tërheqjes kaotike të trupave Amerikane nga Afganistani.

Sipas Newsweek Sekretari i Shtetit Antony Blinken u pyet në Komitetin për Marrëdhëniet e jashtme të Kongresit edhe për sulmin me dron nga pala Amerikane ku u vranë 10 afganë civilë, midis tyre shtatë fëmijë. “Unë nuk e di”, u përgjigj Blinken, kur u pyet të martën. Nëse nga sulmi i fundit i dronit amerikan në Kabul, Afganistan u vra terroristi i dyshuar apo një punonjës civil afgan që punonte prej shumë kohësh me një organizatë ndihmash amerikane me familjen e tij. Senatori Republikan i Kentucky, Rand Paul e pyeti Blinken në lidhje me një sulm me dron ushtarak të 29 gushtit, nëse “Djaloshi që administrata e Biden e vrau,  ishte një punonjës i një organizate ndihmash apo një operativ i ISIS-K?” “Unë nuk e di”, tha Blinken. 

Në fakt sipas një hetimi nga gazeta NYT për Zemari Ahmadi, që u vra nga sulmi me dron më 29 gusht 2021 bashkë me 9 të tjerë, midis tyre 7 fëmijë, doli se nuk ishte terrorist nga Isis-K, por një inxhinier elektronik bashkëpunëtor i amerikanëve që kishte bërë kërkesë vize me familjen për në SHBA./voal.ch (Sources: NYT, NYP, Newsweek, Euronews)

 

 

Joe Biden do të adresohet fizikisht në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

Washington

Presidenti amerikan Joe Biden do të flasë drejtpërdrejt në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York javën e ardhshme, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shtëpia e Bardhë tha se Biden do të japë deklaratat të martën, 21 shtator, në fjalimin e tij të parë në mbledhjen vjetore diplomatike që nga marrja e detyrës.

Theksohet se do të pasojnë detaje shtesë.

Seanca e 76-të e Asamblesë së Përgjithshme do të hapet më 14 shtator dhe dita e parë e Debatit të Përgjithshëm të nivelit të lartë do të zhvillohet më 21 shtator dhe do të zgjasë deri më 27 shtator.

Më shumë se 130 udhëheqës shtetërorë dhe qeveritarë pritet të marrin pjesë në sesionin e këtij viti.​​​​​​​

Blinken në Kongres: Edhe pas 5 apo 10 vjetësh situata në Afgaistan do të ishte e njëjtë

Ken Bredemeier

WASHINGTON – Duke dëshmuar në një seancë dëgjimore në Kongres të hënën, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbrojti me vendosmëri tërheqjen ushtarake amerikane muajin e kaluar nga Afganistani që përfundoi një luftë 20 vjeçare, më e gjata në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Nëse Presidenti amerikan Joe Biden do të kishte vendosur të mbante forca të armatosura në Afganistan, kjo “do të kërkonte dërgimin e më shumë trupave amerikane në Afganistan për të mbrojtur veten dhe për të parandaluar një marrje të pushtetit nga talebanët, duke pësuar viktima – dhe në rastin më të mirë rivendosjen e një ngërçi dhe ngecjeje të pafund në Afganistan, nën kërcënimin e sulmeve”. tha sekretari Blinken përpara Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Nuk ka tregues se qëndrimi më i gjatë do t’i kishte bërë që forcat afgane të sigurisë ose qeveria afgane të ishin më elastike apo të qëndrueshme,” tha ai. “Nëse 20 vjet dhe qindra miliarda dollarë në mbështetje, pajisje dhe trajnime nuk do të mjaftonin, përse një vit tjetër, pesë apo 10, do të ishin ndryshe?”

Kryengritësit talebanë pushtuan vendin në mes të gushtit, ndërsa Presidenti afgan Ashraf Ghani iku në mërgim në Emiratet e Bashkuara Arabe. Shtetet e Bashkuara evakuuan 124,000 njerëz, shumica afganë, së bashku me rreth 5,500 amerikanë, nga aeroporti i Kabulit në ditët e fundit të gushtit, duke lënë pas rreth 100 amerikanë.

FILE - U.S. soldier holds a "Gate Closed" sign as hundreds of people gather near an evacuation checkpoint on the perimeter of Hamid Karzai International Airport, in Kabul, Afghanistan, Aug. 26, 2021.

FILE – U.S. soldier holds a “Gate Closed” sign as hundreds of people gather near an evacuation checkpoint on the perimeter of Hamid Karzai International Airport, in Kabul, Afghanistan, Aug. 26, 2021.

Disa amerikanë kanë qenë në gjendje më pas të largohen nga vendi, përmes daljeve tokësore ose në pak fluturime ajrore të lejuara nga talebanët.

Sekretari Blinken tha se zyrtarët amerikanë nuk e kishin parashikuar rënien e qeverisë afgane aq shpejt, edhe ndërsa talebanët përparuan në të gjithë vendin.

“Edhe vlerësimet më pesimiste nuk parashikuan që forcat qeveritare në Kabul do të rrëzoheshin ndërsa forcat amerikane të ishin ende në vend”, tha ai.

Edhe pse evakuimi kryesor ka përfunduar, diplomati amerikan tha: “Ne po vazhdojmë përpjekjet tona të paepura për të ndihmuar amerikanët e mbetur, si dhe afganët dhe qytetarët e vendeve aleate dhe partnere, të largohen nga Afganistani nëse ata zgjedhin të bëjnë një gjë të tillë”.

“Ashtu siç kemi bërë gjatë gjithë historisë sonë, amerikanët tani po mirëpresin familjet nga Afganistani në komunitetet e tyre dhe po i ndihmojnë ata të zhvendosen ndërsa fillojnë jetën e tyre të re”, tha sekretari Blinken. “Kjo është gjithashtu diçka për të qenë krenarë”.

Pyetje nga paneli i Dhomës së Përfaqësuesve

Sekretari Blinken u përball me pyetje të vështira dhe vlerësime të ashpra për tërheqjen nga paneli i Dhomës së Përfaqësuesve dhe kjo pritet të ndodh përsëri të martën kur të dalë për të dëshmuar para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Ligjvënësit republikanë të opozitës dhe disa kolegë demokratë kanë kritikuar strategjinë e presidentit për tërheqjen e trupave, qytetarëve amerikanë dhe mijëra afganëve që punuan për forcat amerikane si përkthyes dhe këshilltarë gjatë luftës.

Kryetari i komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve, kongresmeni Gregory Meeks i Nju Jorkut, tha: “Shkëputja nga Afganistani nuk do të ishte kurrë e lehtë”.

Por ai shtoi, “Kjo luftë duhet të kishte përfunduar 19 vjet më parë”, pasi Shtetet e Bashkuara rrëzuan me sukses talebanët nga pushteti dhe shkatërruan terrenet e trajnimit për terroristët e Al-Kaidës që sulmuan Shtetet e Bashkuara në vitin 2001, duke vrarë gati 3,000 njerëz.

Ligjvënësi Michael McCaul i Teksasit, republikani kryesor i panelit të Dhomës së Përfaqësuesve, e karakterizoi tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani si “një fatkeqësi me përmasa epike” dhe vuri në dukje se shumë zyrtarë të përkohshëm që tani kontrollojnë Afganistanin ishin dikur terroristë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në qendrën e burgimit të Guantanamos në Kubë.

Ligjvënësi republikan Steve Chabot i Ohajos tha se Afganistani është bërë “edhe një herë një strehë për terroristët”.

“Po, shumica e amerikanëve donin të largoheshin nga Afganistani, por jo në këtë mënyrë ” tha zoti Chabot.

Ligjvënësi demokrat, Brad Sherman i Kalifornisë, fajësoi ish-Presidentin Donald Trump që ra dakort vitin e kaluar për tërheqjen me 1 maj 2021, afati përfundimtar për dhënien fund të përfshirjes ushtarake amerikane në Afganistan pa planifikim të mjaftueshëm. Zoti Sherman pyeti sekretarin Blinken nëse administrata e mëparshme amerikane la detaje se si mund të ishte kryer tërheqja.

“Ne trashëguam një afat,” u përgjigj Blinken. “Ne nuk trashëguam një plan.”

Family members of U.S. Marine Sgt. Johanny Rosario Pichardo are grief stricken upon the arrival of his casket at Logan Airport in Boston.

Family members of U.S. Marine Sgt. Johanny Rosario Pichardo are grief stricken upon the arrival of his casket at Logan Airport in Boston.

Kritikat për tërheqjen nga Afganistani u shtuan veçanërisht pasi 13 pjesëtarë të shërbimit amerikan gjetën vdekjen në një sulm vetëvrasës në aeroportin e Kabulit në ditët e fundit të tërheqjes. Shteti Islamik-Khorasan, një degë afgane e grupit terrorist që vepron në Lindjen e Mesme, mori përgjegjësinë për sulmin.

Sondazhet kombëtare të votuesve amerikanë tregojnë mbështetje të gjerë për vendimin e Presidentit Biden për t’i dhënë fund asaj që ai e ka quajtur një “luftë të përhershme” në Afganistan, por jo mënyrën se si u bë tërheqja.

Dëshmia e ardhshme

Gjatë dy ditëve të dëshmisë, sekretari Blinken ka të ngjarë të pyetet përse SHBA nuk e filloi evakuimin e qytetarëve amerikanë më shpejt, veçanërisht pasi presidenti Biden njoftoi qëllimin e tij në prill për të nderuar marrëveshjen e Trumpit me talebanët për t’i dhënë fund luftës dhe për të tërhequr forcat amerikane.

Ligjvënësit kanë synuar gjithashtu të vënë në shënjestër informacionet e inteligjencës amerikane për dështimin në parashikimin e marrjes së shpejtë të pushtetit nga talebanët dhe rënien e qeverisë afgane.

Republikanët thonë se duan të përqëndrojnë pyetjen e tyre në performancën e presidentit Biden në javët dhe ditët e fundit të luftës, ndërsa demokratët shpresojnë të analizojnë të gjithë përpjekjen e luftës që u krye nën drejtimin e katër presidentëve – republikanëve George W. Bush dhe Trump, dhe demokratëve Barack Obama dhe Joe Biden.

George Bushi filloi luftën në fund të vitit 2001 për të zhdukur terrenet e stërvitjes së terroristëve të al-Kaidës, që kryen sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara, me terroristët e al-Kaidës që urdhëruan aeroplanët amerikanë të rrëzoheshin në kullat binjake të Nju Jorkut, në Pentagon dhe jashtë Uashingtonit. 20 vjetori i sulmeve u përkujtua me ceremoni solemne të shtunën e kaluar.

Kërcënimet për SHBA

Në një takim të nivelit të lartë të inteligjencës dhe sigurisë kombëtare të hënën, Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare Avril Haines u tha të pranishmëve se kërcënimet më të mëdha për Shtetet e Bashkuara nuk po vinin më nga Afganistani.

“Ajo që ne shohim si kërcënim nga ISIS është Jemeni, Somalia, Siria dhe Iraku” tha zonja Haines. “Aty shohim kërcënimin më të madh”.

Ajo tha se tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani ka ndikuar në aftësinë e agjencive të inteligjencës amerikane për të ditur se çfarë po ndodh në terren me grupet terroriste si al-Kaida dhe IS-Khorasan.

“Thjesht nuk ka asnjë dyshim se kur tërhiqesh, pa trupa në terren, pa infrastrukturën që kishim, pa qeverinë afgane në pozicionin që ishte, mbledhja e inteligjencës është zvogëluar,” tha ajo.

Ajo tha se komuniteti i inteligjencës amerikane, megjithatë, ishte duke u përgatitur për këtë eventualitet për “një kohë të gjatë”.

Presidenti Biden e ka quajtur tërheqjen nga Afganistani një “sukses të jashtëzakonshëm” dhe mbrojti vendimin për t’i dhënë fund luftës atje, duke thënë se ai nuk do t’ia kalojë përgjegjësinë e menaxhimit të përfshirjes ushtarake amerikane atje një udhëheqësi të pestë amerikan.

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha të hënën se një pauzë që ndikon në fluturimet e evakuimit të refugjatëve afganë për në Shtetet e Bashkuara do të zgjasë edhe një javë tjetër për shkak të shpërthimit të rasteve të fruthit. Ai tha se rastet e fruthit në mesin e afganëve u zbuluan në tre qendra të ndryshme në Shtetet e Bashkuara.

Pezullimi i fluturimeve e ndërlikon më tej procesin e evakuimit të afganëve në Shtetet e Bashkuara.

11 shtator 2001, historia e një makinisti që shpëtoi qindra njerëz

Në orën 8:46 të mëngjesit të 11 shtatorit 2001, Joe Irizarry po drejtonte një tren udhëtarësh në Nju Jork, shumë afër kullave binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë. Disa sekonda më vonë, aeroplani i parë u përplas në kullën e parë. Korrespondentja e Zëri të Amerikës, Anna Nelson bisedoi me zotin Irizarry mbi ngjarjen, 20 vjet më vonë.

“Unë mendoj se kam qenë më i lumtur para kësaj ngjarjeje. Isha 40 vjeç, ndihesha mirë. Isha i martuar, baba i katër fëmijëve. Kisha dëshirë të bëhesha polic, por kjo nuk funksionoi, kështu që isha drejtues trenash në qytetin e Nju Jorkut. Isha në gjendje të siguroja një jetë të mirë. Unë bëja punën që nuk më pëlqente shumë, por ajo paguante faturat. Unë isha drejtues i trenit të linjës R më 11 shtator të vitit 2001”, thotë Joe Irizarry.

Ai e mban mend mirë mëngjesin e asaj dite. Në orën 8:45 të mëngjesit treni i tij ndaloi në stacionin Cortlandt Street kur ai ndjeu një shpërthim që e lëkundi trenin.

“Nuk e dija se çfarë ishte. Nuk e dija nëse u godita nga një tren tjetër apo shpërtheu një bombë. I thashë konduktorit tim që të hapte dyert pasi ndaluam në stacion dhe unë shkova për kontrolluar pjesën e pasme të trenit. Pashë dy gra që po vraponin poshtë shkallëve, të cilat më thanë se një aeroplan sapo kishte goditur kullën e parë. Unë u kërkova të gjithë pasgjerëve që të qëndronin në tren, kështu që ata që ishin në platformë hipën përsëri në tren”.

Zoti Irizarry thotë se në atë moment, një valë njerëzish filluan të mbushnin stacionin e trenit, platforma e të cilit filloi të mbulohej nga një re pluhuri dhe mbeturinash.

“Ishte e frikshme. Në atë moment askush nuk e dinte se ishte një sulm terrorist. Të gjithë mendonin se ishte një aksident. Kishte njerëz që vraponin poshtë shkallëve për të hipur në tren, i thashë konduktorit që t’i mbante dyert hapur derisa të gjithë njerëzit të hynin në tren. Stacioni Cortlandt Street ishte pikërisht përballë kullës, më pak se 100 metra larg saj. Pra, unë isha në stacionin nëntokësor kur avioni i parë goditi kullën. Nuk më zuri paniku në atë moment. Detyra ime ishte të dërgoja njerëzit në një vend të sigurt”, thotë ai.

Rregulli i përgjithshëm për drejtuesit e trenave është të mbërrijnë në stacion, të presin jo më shumë se 10-15 sekonda, derisa njerëzit të hipin në tren, të mbyllin dyert dhe të largohen. Zoti Irizarry shkeli të gjitha këto rregulla.

“Në atë moment u sigurova që të gjithë njerëzit të ishin në gjendje të hipnin në tren. Dhe në momentin kur nuk pamë njeri jashtë trenit, mbyllëm dyert dhe u nisëm. Disa qindra njerëz kishin hipur në tren. Kontaktova me Qendrën e Kontrollit për t’i informuar mbi atë qe po ndodhte…ishte një situtatë e rëndë”, thotë ai.

“Kur arrita në stacionin Avenue Continental, atëherë zbulova saktësisht se çfarë kishte ndodhur, kulla po rrëzohej. Hyra në dhomën e personelit dhe e pashë ngjarjen në televizor. Në atë moment, mua më zuri paniku. E kuptova se kisha qenë nën ndërtesën që po rrëzohej. Pastaj, unë shkova në shtëpi dhe fillova të qaja.”

Stacioni i Cortlandt Street u dëmtua rëndë dhe u desh të rindërtohej plotësisht. Një pjesë e stacionit u shemb. Zoti Irizarry ishte larguar në kohën e duhur.

“Autoriteti i tranzitit më vuri në kontakt me një pasagjere, e cila kishte kontaktuar median. Unë takova Lindën, e cila ishte ulur në vagonin e ngjitur me kabinën e drejtuesit të trenit.”

“Në fakt, mu deshën disa ditë para se ta kontaktoja atë për shkak të tronditjes që përjetova. Doja të riktheja qetësinë, sepse atë ditë humba shumë miq. Pastaj vendosa ta bëja telefonatën, ta falenderoja atë”, thotë Linda DeSilvio.

“Është një ndjesi e mirë të mendosh që dikush të konsideron hero. Kjo është puna jonë, t’i mbajmë klientët tanë të sigurt!”, tha Joe Irrizary në shtator të vitit 2001, pas takimit me pasagjeren Linda DeSilvio.

Kanë kaluar dy dekada nga tragjedia, por për zotin Irizarry, gjithçka është ende reale dhe shumë e dhimbshme.

“Merrja shumë ditë pushimi sepse nuk doja të kaloja më në atë zonë. Pastaj, bazuar në vitet e punës, unë zgjodha të punoja në linja të tjera të trenave. Kur drejtoja trenin shpesh filloja të qaja. Më 31 dhjetor të vitit 2011 dola në pension. Unë vuaj nga sindroma e stresit post-traumatik, ankthi, depresioni, astma. Nuk ka asnjë lehtësim. Unë mendoj për të gjithë ata që vdiqën në atë moment, edhe pse unë jam akoma këtu. Kanë kaluar 20 vjet, por mua më duket sikur kjo ka ndodhur dje…”, thotë ai.

Rifillon procesi gjyqësor për pesë të akuzuarit për sulmet terroriste të 11 shtatorit

VOA

UASHINGTON – Procesi gjyqësor ndaj pesë personave të akuzuar se planifikuan dhe ndihmuan sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 ka rifilluar të martën, pas një pauze prej gati një viti e gjysëm për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Khalid Shaikh Mohammad, një eksponent i lartë i al-Kaidas dhe i dyshuar si planifikuesi i sulmeve, po gjykohet së bashku me të akuzuarit e tjerë nga një komision ushtarak në bazën amerikane në Guantanamo të Kubës.

Ata akuzohen për konspiracion, sulme ndaj civilëve, vrasje, rrëmbim avionësh dhe terrorizëm.

Nëse shpallen fajtorë, atyre mund t’u jepet dënimi me vdekje.

Gjatë një seance dëgjimore në vitin 2013

Gjatë një seance dëgjimore në vitin 2013

Procesi gjyqësor për të akuzuarit është ngadalësuar nga kërkesat ligjore të paraqitura nga prokurorët dhe avokatët mbrojtës në lidhje me evidencën që duhet përdorur. Debati është zhvilluar për përdorimin e materialeve të klasifikuara dhe informacionit të përfituar gjatë marrjeve në pyetje, për të cilat avokatët mbrojtës kanë pretenduar se janë siguruar nëpërmjet torturës.

Në sulmet terroriste morën pjesë nëntëmbëdhjetë persona të lidhur me al-Kaidën, të cilët rrëmbyen katër avionë. Dy prej tyre i përplasën mbi kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork dhe një tjetër mbi godinën e Pentagonit, pranë Uashingtonit. Avioni i katërt u rrëzua në një fushë në Pensilvani. Sulmet morën jetët e gati 3 mijë personave.

Shtetet e Bashkuara u përgjigjën duke ndërhyrë në Afganistan për të goditur al-Kaidan dhe për të larguar nga pushteti talebanët, të cilët kishin strehuar grupin terrorist. Operacionet ushtarake amerikane zgjatën gati 20 vjet dhe përfunduan para një jave, ndërkohë që talebanët rimorën kontrollin e Afganistanit.

Çfarë nënkupton 11 shtatori për të rinjtë e Nju Jorkut

Brezi i ri në qytetin e Nju Jorkut ishte në moshë shumë të vogël ose ende nuk kishin lindur kur ndodhën sulmet e 11 shtatorit 2001. Por ata u rritën në qytetin që po përballej me pasojat e sulmit terrorist. Në materialin në vazhdim të rinjtë e qytetit të Nju Jorkut tregojnë për Zërin e Amerikës se çfarë nënkupton 11 shtatori për ata.

Noah Rodriguez ishte vetëm 2 vjeç kur ndodhën sulmet terroriste të 11 shtatorit. Ai mendon shpesh për këtë ngjarje të trishtë kur e gjithë bota shikonte në televizor se si digjeshin kullat binjake.

“Nuk mendoj se kjo ngjarje do të harrohet”, thotë ai.

Mes vorbullës politike të katër viteve të fundit, të shoqëruar nga pandemia, studenti i mjekësisë thotë se sulmet e 11 shtatorit ishin një nga shumë ngjarjet më katastrofike.

“11 shtatori ishte vetëm një nga ngjarjet e rënda që ka ndodhur gjatë jetës sonë”.

Sulmet ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë padyshim që e ndryshuan qytetin e Nju Jorkut. Por fëmijët e asaj kohe dhe ata që janë më të rinj kanë ndjenja të përzjera ndërsa afrohet 20 vjetori i sulmeve. Sarah Malik lindi pak pas ngjarjes tragjike.

“Mendoj se shumica e fëmijëve e kuptojnë konceptimin e asaj që ka ndodhur. Ata mund ta kuptojnë se ishte një tragjedi, por nuk është njëlloj si ta përjetosh atë”.

16-vjeçarja nga Nju Jorku është njohur me ngjarjen falë babait të saj, i cili punonte në kullat binjake.

“Unë thjesht mendoj se shumë prej tyre nuk e dinë, por edhe ka nga ata që nuk kanë interes të dinë”, thotë Joan Mastropaolo me Muezumin e Kujtesës.

Ajo thotë se ngjarjet dhe pasojat e tyre mund të nguliten tek kujtesa e gjeneratave të reja kur dëgjojnë ngjarjet nga të mbijetuarit.

“Kur t’u flas atyre për ato që kam parë dhe perjetuar..”

Për 17-vjeçaren Silvana Davi, kjo ditë është personale. Ajo thotë për Zërin e Amerikës se nëna e saj duhej të ishte në kullat binjake kur aeroplanët goditën.

“Po të shkonte në punë mamaja ime, unë nuk do të isha këtu.”

E rritur në një periferi të Nju Jorkut, ku shumë fëmijë humbën prindërit nga sulmi, ngjarja ka qënë pjesë e jetës së saj. Kohët e fundit ajo bëri një shkrim për orën e historisë mbi ngjarjet e 11 shtatorit.

“Mendoj se ngjarja nuk duhet të harrohet kurrë, dhe gjeneratat e ardhshme duhet të mësojnë për të si pjesë e historisë sonë”.

Ajo gjithashtu po grumbullon fonde bamirësie.

“Shpresoj që kjo t’u mësojë njerëzve se jeta mund të ndryshojë në pak sekonda, dhe duhet të shijoni çdo moment që keni”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.

Ndërsa vendi shënon 20 vjetorin, brezat e ardhshëm do të përcaktojnë vetë se çfarë nënkupton 11 shtatori për ta.

Biden urdhër ekzekutiv për publikimin e dokumenteve të lidhura me 11 shtatorit

Marrë nga Associated Press

Presidenti Joe Biden nënshkroi të premten një urdhër ekzekutiv që urdhëron publikimin e disa dokumenteve sekrete të lidhura me sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001. Vendimi është një gjest mbështesës për familjet e viktimave që kanë kërkuar prej kohësh të dhëna, me shpresën për të gjetur informacion që përfshin qeverinë saudite në ngjarjet e atij viti.

Urdhri, i cili vjen pak më shumë se një javë para 20 vjetorit të sulmeve, është një moment domethënës në një debat shumëvjeçar mes qeverisë dhe familjarëve të viktimave, rreth asaj se çfarë ka në dokumentat e konsideruara sekrete në lidhje me sulmet dhe që ato të mund të bëhen publike.

Ky konflikt u shfaq muajin e kaluar kur rreth 1,800 të afërm të viktimave, të mbijetuar dhe punonjës së vijës së parë të frontit thanë se ishin kundër pjesëmarrjes së Presidentit Biden në ngjarjet përkujtimore të 11 shtatorit 2001 nëse dokumentet mbeteshin sekrete.

Ngjarjet në fjalë ndodhën dy dekada më parë, dhe ato kanë të bëjnë me një moment tragjik që vazhdon të jehojë në historinë e vendit dhe në jetën e kaq shumë amerikanëve“, thuhet në urdhrin ekzekutiv. “Prandaj është jetike të sigurohet që qeveria e Shteteve të Bashkuara të maksimizojë transparencën, duke u mbështetur në klasifikimin si informacion sekret vetëm kur është e nevojshme“.

Urdhri udhëzon Departamentin e Drejtësisë dhe agjencitë e tjera të degës ekzekutive që të fillojnë një rishikim të dokumenteve dhe kërkon që ato të publikohen gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

Megjithatë, ndikimi praktik i urdhrit ekzekutiv dhe çdo dokument të ri që mund të prodhojë procesi nuk është i qartë. Në të shkuarën hetimet kanë nënvizuar lidhjet mes shtetasve sauditë dhe disa prej rrëmbyesve të aeroplanëve që kryen sulmet terroriste, por nuk kanë vërtetuar se qeveria saudite ishte e përfshirë drejtpërdrejt në atë që ndodhi. VOA

Gjeneral Milley: SHBA mund të bashkërendojë punën me talebanët për sulme ndaj ISIS-it

Marrë nga Associated Press

Shefi i Shtatmadhorisë Amerikane, gjenerali Mark Milley, tha të mërkurën se ekzistojnë “mundësitë” që Shtetet e Bashkuara të bashkërendojnë veprimet me talebanët për çdo sulm të ardhshëm kundër terrorizmit në Afganistan, kundër militantëve të Shtetit Islamik apo grupeve të tjera.

Talebanët, tha gjeneral Milley, janë një grup “i pamëshirshëm” dhe “mbetet për t’u parë nëse ata do të ndryshojnë”.

Në luftë bëhet ajo që duhet për të zvogëluar rrezikun dhe jo domosdoshmërisht ajo që do të dëshironim të bënim”, shtoi ai.

Duke folur dy ditë pasi trupat e fundit amerikane u larguan nga Afganistani duke i dhënë fund një evakuimi kaotik, që u shoqërua me një shpërthim vdekjeprurës, gjenerali Milley dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin u thanë gazetarëve në Pentagon se është e vështirë të parashikohet e ardhmja e talebanëve në Afganistan.

“Unë nuk do të bëja asnjë koment duke patur pak informacion mbi çështje më të gjera”, tha zoti Austin.

Si Sekretari Austin ashtu edhe gjenerali Milley kanë drejtuar trupat në Afganistan gjatë luftës 20-vjeçare atje dhe komentet e tyre të mërkurën u përqëndruan kryesisht në nderimin e atyre që shërbyen, që u vranë apo u plagosën në konflikt, si dhe atyre që menaxhuan evakuimin ajror kompleks, gjatë tre javëve të fundit.

Me përfundimin e luftës së SHBA -së në Afganistan, Presidenti Joe Biden po përballet me mundësinë e krijimit të një marrëdhënieje të re me talebanët, grupi militant islamik që SHBA-ja rrëzoi nga pushteti, me fillimin e misionit në Afganistan pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Tashmë talebanët janë sërish në pushtet në Afganistan.

Zoti Biden ka ngarkuar Sekretarin e Shtetit Antony Blinken të bashkërendojë përpjekjet me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që talebanët të mbajnë premtimin e tyre për largimin e sigurt të amerikanëve dhe atyre që duan të largohen nga vendi në ditët në vazhdim.

Gjenerali i Marinës Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore Amerikane, i ka përshkruar marrëdhënien e SHBA-së me talebanët gjatë evakuimit, si “shumë pragmatike e kryesisht marrëdhënie pune”, duke thënë se ata ndihmuan në sigurimin e aeroportit të Kabulit. Por sipas të tjera njoftimeve, njerëz në Afganistan kanë folur për të shtëna me armë, dhunë dhe përpjekje të talebanëve për të bllokuar afganët e dëshpëruar që të mos futen në aeroport.

Gazetarë të USAGM ende në Afganistan, kritika ndaj administratës

Ligjvënësi republikan Michael McCaul e quajti “turp” faktin që qeveria amerikane dështoi të evakuojë nga Afganistani gazetarët e Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM), përpara përfundimit zyrtarisht të misionit ushtarak amerikan atje.

Është absolutisht e turpshme që Departamenti i Shtetit pohoi se ka evakuuar punonjësit e tij lokalë, kur në realitet ata kanë braktisur me qindra gazetarë të USAGM e familjarë të tyre“, thuhej në një deklaratë të martën të zotit McCaul, republikani kryesor i Komisionit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.

Agjencia Amerikane për Median Globale (USAGM) është një agjenci federale e pavarur, që përfshin disa rrjete mediatike, si “Zëri i Amerikës” dhe Radio “Azadi”.

Në deklaratën e tij, zoti McCaul shprehej se afro 500 punonjës të USAGM e familjarë të tyre vazhdojnë të jenë në Afganistan. Në deklaratë thuhej gjithashtu se shumë prej tyre u ishte dhënë garanci nga administrata Biden, se do të evakuoheshin.

Zyrtarët e USAGM-së nuk i janë përgjigjur ende kërkesave për koment.

Uashingtoni njoftoi përfundimin e misionit amerikan në Afganistan gjatë një konference shtypi të hënën në Pentagon, duke u thënë gazetarëve se avioni i fundit amerikan ishte larguar nga Kabuli pak para mesnatës sipas orës lokale.

Republikanët e Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve thanë për “Zërin e Amerikës” se ata po e nxisin administratën të garantojë evakuimin e sigurt të punonjësve të USAGM, por shtuan se ata nuk e dinë se si mund të ndodhë një gjë e tillë pas largimit të ushtrisë amerikane. Disa që mbështesin idenë e fluturimeve private, janë të vetëdijshëm mbi ndërlikimet në dërgimin e gazetarëve të sigurt në aeroport, ndërsa po qëndrojnë të fshehur në Afganistan.

Në një konferencë shtypi të martën, i pyetur lidhur me gazetarët e USAGM zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se “do të bëhen përpjekje të jashtëzakonshme për t’i sjellë ata të sigurt e sa më shpejt të jetë e mundur”.

Disa ditë para përfundimit të evakuimeve nga Kabuli, dhjetëra ligjvënës i kërkuan Presidentit Biden të garantonte kalim të sigurt për qindra gazetarë të USAGM.

Po ua theksojmë se 550 punonjësit e USAGM dhe familjarët e tyre nuk janë ndryshe nga gazetarët për të cilët keni punuar me zell për të evakuuar“, thuhej në një letër të nënshkruar nga 67 ligjvënës të Kongresit.

Anketa: 54% e të rriturve amerikanë mbështesin tërheqjen nga Afganistani

VOA

Më shumë se gjysma e të rriturve amerikanë, 54%, besojnë se vendimi për tërheqjen trupat amerikane nga Afganistani pas 20 vitesh lufte ishte “i drejtë”, sipas Qendrës Kërkimore Pew.

Rreth 42% e të rriturve amerikanë të anketuar thanë se vendimi për t’u tërhequr ishte “i gabuar”.

Sondazhi u realizua nga datat 23-29 gusht, para përfundimit të tërheqjes. 69% e të anketuarve thanë se Shtetet e Bashkuara kryesisht nuk i arritën qëllimet e tyre në Afganistan.

Rreth një e katërta, 26%, thanë se administrata e Presidentit Biden bëri një punë “të shkëlqyeshme” ose “të mirë” në “trajtimin e situatës në Afganistan”. 29%thanë se administrata kishte bërë një punë “të favorshme” ndërsa 42% e të anketuarve thanë se veprimet e administratës ishin të dobëta.

Disa informacione për këtë raport u morën nga Associated Press dhe Reuters.

Biden mbron vendimin për t’i dhënë fund luftës në Afganistan

VOA

Presidenti Joe Biden përsëri mbrojti vendimin për t’i dhënë fund luftës 20 vjeçare në Afganistan, duke thënë se, “Unë nuk do ta zgjasja këtë luftë përgjithmonë dhe nuk do të zgjasja pa fund tërheqjen”.

“Mbrëmë Shtetet e Bashkuara i dhanë fund luftës 20 vjeçare në Afganistan”, tha Presidenti Biden nga Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se ishte lufta më e gjatë e Shteteve të Bashkuara.

Duke folur për evakuimin e amerikanëve dhe afganëve, pas marrjes së kontrollit të Afganistanit nga talebanët, Presidenti Biden tha: “Ne i dhamë fund një prej evakuimeve ajrore më të mëdha në histori, me më shumë se 120,000 njerëz të evakuuar në vend të sigurt. … Asnjë shtet nuk ka bërë ndonjëherë diçka të tillë”, shtoi ai.

Për javë të tëra, Presidenti Biden dhe pjestarë të tjerë të administratës së tij diskutuan mundësinë për të qëndruar më gjatë, duke balancuar sfidat dhe përfitimet e një operacioni masiv për të evakuuar më shumë qytetarë amerikanë dhe civilë afganë përballë kërcënimeve të besueshme të sigurisë.

“Ishte rekomandimi unanim i Shefave të Shtabit dhe i të gjithë komandantëve tanë në terren për t’i dhënë fund misionit tonë të evakuimit ajror siç ishte planifikuar”, tha Presidenti Biden më herët.

“Pikëpamja e tyre ishte se përfundimi i misionit tonë ushtarak ishte mënyra më e mirë për të mbrojtur jetët e trupave tona dhe për të siguruar perspektivat e evakuimeve civile për ata që duan të largohen nga Afganistani në javët dhe muajt e ardhshëm”.

“Talebanët kanë marrë angazhime për kalim të sigurt dhe bota do t’i mbajë ata përgjehjës në angazhimet e tyre”, shtoi ai.

Vendimi i Presidentit Biden për zbatuar afatin e tërheqjes ngjalli kritika nga kundërshtarët politikë dhe nga disa aleatë. Dhënia fund e tërheqjes amerikane nga Afganistani vjen disa ditë para 20 vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, që i shtynë Shtetet e Bashkuara të ndërhyjnë në Afganistan në kërkim të terroristëve të al-Kaidës, që planifikuan sulmet dhe militantëve talebanë që i strehuan ata.

Drejtuesi i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara njoftoi përfundimin e misionit amerikan në Afganistan gjatë një konference shtypi të hënën në Pentagon, duke u thënë gazetarëve se avioni i fundit amerikan u ngrit nga Kabuli pak para mesnatës, sipas kohës lokale.

“Ishte një mision që solli para drejtësisë Osama bin Ladenin, së bashku me shumë nga bashkëpunëtorët e tij të al-Kaidës”, tha Gjeneral Kenneth (Frank) McKenzie përmes një lidhjeje video nga selia e CENTCOM në Florida. Ai vuri në dukje se kostoja për Shtetet e Bashkuara ishte e lartë.

“Dy mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e një ushtarë amerikanë dhe civilë u vranë dhe më shumë se 20,000 u plagosën”, tha ai, duke vlerësuar qindra mijëra trupa dhe civilë që luftuan dhe punuan në Afganistan.

“Ne nuk i evakuuam të gjithë ata që donim”, tha ai për shtypin, duke iu referuar përpjekjeve 18-ditore të përshkruar si evakuimi ajror më i madh në historinë e ushtrisë amerikane.

Dalja nga Afganistani shtyn Kongresin të shfuqizojë kompetencat presidenciale të luftës

Katherine Gypson

Ligjvënësit amerikanë kanë kohë që kërkojnë të kufizojnë pushtetin e presidentit për të hyrë në luftë. Pas sulmeve të 11 shtatatorit, autorizimet e vitit 2001 dhe 2002 për Përdorimin e Forcës Ushtarake në luftën kundër terrorit kanë qenë një temë debati e nxehtë në Kongres pothuajse që kur u miratuan.

Forcat amerikane u sulmuan ndërsa evakuonin amerikanët dhe aleatët afganë nga Kabuli në përmbylljen e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në Afganistan, gati dy dekada pasi Kongresi Amerikan i dha Shtëpisë së Bardhë autorizimin për të zhvilluar luftë atje. Autorizimet mbuluan gjithashtu konfliktin në Irak dhe më pas u shtrinë për të përfshirë angazhimet ushtarake duke filluar nga Siria në Jemen e deri në sulmin kundër gjeneralit iranian Qassem Soleimani.

“Gjatë 20 viteve, administratat e njëpasnjëshme e kanë interpretuar dhe riinterpretuar tekstin e asaj rezolute për ta përdorur atë në vende të reja kundër një liste që zgjerohet me grupe të lidhura në një farë mënyre. Ky proces e ka përjashtuar Kongresin nga përgjegjësia e tij themelore për të vendosur mbi çështjet e luftës dhe paqes”, thotë ligjvënësi Gregory Meeks, kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Sipas Kushtetutës Amerikane, Kongresi ka fuqinë për të shpallur luftë, por Autorizimet e vitit 2001 dhe 2002 për Përdorimin e Forcës Ushtarake u dhanë presidentëve amerikanë kompetenca të gjera për t’u angazhuar në luftë jashtë vendit.

“Presidentët gjithnjë e më shumë po veprojnë vetë, duke i dhënë Kongresit minimumin e informacionit të mundshëm për veprimet ushtarake. Presidentët dhe këshilltarët e tyre ligjorë e shfrytëzojnë autorizimin 20 vjeçar të përdorimit të forcës për të justifikuar veprimet e tyre. Në se nuk bëjmë asgjë, nuk duhet të habitemi për rezultatet”, thotë ligjvënësi demokrat Jim McGovern.

Në fillim të këtij viti – para evakuimit të Kabulit – Shtëpia e Bardhë sinjalizoi se ishte e gatshme të punonte me Kongresin për të shfuqizuar këto autorizime, duke kufizuar hapësirat e tyre ligjore.

“Ato duhet të përfshijnë masa konkrete si shkurtimin e financimit me një kohëzgjatje të caktuar, duke e mbajtur presidentin dhe zyrtarët e degës ekzekutive përgjegjës qysh në fillim, se nëse nuk kanë mbështetjen e kongresit për veprimet e tyre, financimi ka një datë skadence”, thotë Rebecca Ingber, profesore e drejtësisë në universitetin Cardozo.

Përpjekjet e mëparshme për të shfuqizuar autorizimet kanë hasur në kundërshtimin e presidentëve nga të dyja partitë politike, si dhe kritika nga republikanët se një gjë e tillë mund të pengojë përgjigjen e Shteteve të Bashkuara ndaj kërcënimeve terroriste.

“Ne kemi të njëjtin qëllim, por mund të kemi mënyra pak të ndryshme për ta arritur atë. Ne duhet gjithashtu të shmangim bisedat përçmuese për “luftërat e përjetshme” sepse kjo nënkupton se angazhimet tona të vazhdueshme kundër terrorizmit janë të paligjshme dhe të panevojshme”, thotë ligjvënësi republikan Michael McCaul.

Si senator, zoti Biden punoi për një mbikëqyrje më të madhe të Kongresit mbi pushtetin e presidentit për luftë. Tani që ai është në Shtëpinë e Bardhë ekziston besimi se Kongresi mund të rivendosë kontrollin mbi një nga përgjegjësitë e tij më të rëndësishme.

“E shoh këtë si një çështje të rëndësishme për të qënë të sinqertë me publikun amerikan dhe për të kërkuar llogari nga presidenti për arsyetimin që ai ose ajo propozon të japë”, thotë Bob Bauer ish këshilltar i Shtëpisë së Bardhë.

Një komision i rëndësishëm i Senatit miratoi shfuqizimin e autorizimeve në fillim të kësaj vere, duke i hapur rrugën një votimi të plotë, kur Senati të kthehet në punë në Uashington në shtator.

Gabriel Escobar pritet të zëvendësojë Matthew Palmerin

RFE/RL

Zëvendësambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Gabriel Escobar javën e ardhshme pritet të marrë detyrën e Zëvendësndihmës sekretarit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë në Departamentin amerikan të Shtetit.

Ky lajm është konfirmuar për agjencinë e lajmeve serbe, Beta nga Ambasada amerikane në Beograd.

Deri tani këtë post e ka mbajtur Matthew Palmer, i cili ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i DASH-it për Ballkanin Perëndimor.

Kush është Gabriel Escobar?

Gabriel Escobar në gusht të vitit 2019 u emërua në postin e zëvendësshefit të misionit në Ambasadën amerikane në Beograd. Më herët, ai kishte shërbyer si i ngarkuar me punë në këtë ambasadë.

Nga viti 1998 deri më 2001, Gabriel përfundoi katër turne radhazi në ish-Jugosllavi, ku ka shërbyer edhe si shef i stafit në Zyrën e përfaqësuesit të lartë në Banja Llukë të Bosnje e Hercegovinës, shef i degës së ambasadës në Banja Llukë, zëvendësdrejtor i ekipit të Zyrës ndërlidhëse diplomatike të SHBA-së në Podgoricë dhe më 2001, pak pasi u rihap ambasada në Beograd ka shërbyer si shef i njësisë politike në Ambasadën amerikane.

Ndërkaq, në Byronë për Çështje Evropiane, Gabriel ka shërbyer si këshilltar për çështje politike dhe ekonomike në ambasadën në Lisbonë, zëvendëskëshilltar politik në Romë dhe zyrtar ushtarak politik në Pragë si dhe zëvendëskonsull në Moskë.

Gabriel, një diplomat karriere, është nderuar gjashtë herë nga Departamenti amerikan i Shtetit me Çmimin e Lartë të Nderit dhe një herë me Çmimin për Merita të Larta. Ai po ashtu është nderuar nga DASH-i për Çmimin për Shërbimin Civil si dhe ka marrë Çmimin për Shërbim Ushtarak.

Po ashtu ai ka mbajtur pozita të larta në Ambsadën amerikane në Bagdad, në La Paz, Peshavar si dhe ka qenë udhëheqës i ekipit amerikan për rindërtim në Kirkuk të Irakut.

Gabriel ka diplomuar në Universitetin Colombia në Nju Jork dhe flet gjuhën spanjolle, ruse, italiane, serbe, çeke dhe portugeze.

Biden: SHBA do t’i ndjekë terroristët, do të përgjigjet me forcë dhe saktësi

Presidenti i SHBA-së, Biden konfirmon sulmin pranë aeroportit të Kabulit në Afganistan të kryer nga grupi terrorist DEASH/Horosan, “armiku kryesor” i talebanëve

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden konfirmoi të enjten se sulmet pranë aeroportit të Kabulit në Afganistan që lanë të vdekur të paktën 13 ushtarë amerikanë u kryen nga grupi terrorist DEASH/Horosan, dega afgane e DEASH-it dhe premtoi se do të përgjigjen me “forcë dhe saktësi”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke iu referuar DEASH/Horosan si “armiku kryesor i talebanëve”, Biden tha se “ne nuk do t’ua falim, nuk do të harrojmë, ne do t’ju gjuajmë dhe do t’ju bëjmë të paguani”.

Duke u drejtuar nga Dhoma Lindore e Shtëpisë së Bardhë mbi sulmin terrorist në Aeroportin Ndërkombëtar “Hamid Karzai” në Kabul, ai tha se SHBA-ja “do të vazhdojnë evakuimet” ndërsa bën plane për të goditur grupin terrorist DEASH/Horosan.

“Amerika nuk do të frikësohet”, nënvizoi ai.

Shpërthime të shumta tronditën kryeqytetin e Afganistanit të enjten, përfshirë dy pranë aeroportit që i shërbenin qytetit, duke lënë të vdekur dhjetëra njerëz dhe duke plagosur mbi 140 të tjerë, sipas raporteve të mediave dhe korrespondentit të AA-së në terren.

“Nuk ka asnjë bashkëpunim” midis talebanëve dhe DEASH/Horosan

Në fjalimin e tij drejtuar kombit, Biden u kërkoi amerikanëve të bashkohen me të në një minutë heshtjeje “për të gjithë ata që janë me uniformë”.

Ata amerikanë që humbën jetën ishin “heronj që përpiqeshin të shpëtonin jetën e të tjerëve”, tha ai. “Ne jemi të zemëruar dhe zemërthyer”, tha Biden.

“Ne kemi disa arsye për të besuar se e dimë se kush janë ata, (por ne nuk jemi të sigurt) dhe do të gjejmë mënyra për t’i zbuluar ata”, tha ai.

Biden nënvizoi se nuk kishte dëshmi të bashkëpunimit mes talebanëve dhe DEASH/Horosan në sulmet e fundit në Kabul.

Presidenti vuri në dukje se DEASH/Horosan, “armiku kryesor i talebanëve”, ka planifikuar një sërë sulmesh komplekse dhe kjo është arsyeja pse ai ishte aq i vendosur të kufizonte fushëveprimin e operacioneve në Afganistan.

Duke iu drejtuar talebanëve, Biden tha: “Askush nuk u beson atyre. Ne thjesht llogarisim në interesin e tyre vetjak për të vazhduar të gjenerojnë aktivitetet e tyre, dhe është në interesin e tyre personal që të largohemi kur thamë dhe të marrim sa më shumë njerëz që mundemi”.

“Talebanët ‘nuk janë njerëz të mirë’, por ata ‘kanë një interes të madh’ në përpjekjen për të mbajtur aeroportin e Kabulit të hapur”, theksoi Biden.

Afganët e cenueshëm

Për afganët e cenueshëm, Biden vazhdoi duke thënë se nxjerrja e “çdo personi” nga Kabuli “nuk mund të garantohet”.

“Unë them se ne do të vazhdojmë të përpiqemi t’ju nxjerrim edhe pas 31 gushtit”, tha ai.

Biden theksoi se ka shtetas të tjerë amerikanë që kanë Kartën e Gjelbër dhe Vizë Speciale Emigruese (SIV) dhe afganët “të cilët na kanë ndihmuar” dhe të tjerë që kanë kontaktuar me palën amerikane që “janë deklaruar shprehimisht se duan të largohen”, shtoi se “do të përpiqen t’i evakuojnë në disa ditët e ardhshme”.

Ai theksoi se numri i njerëzve të evakuuar nga Afganistani që nga 14 gushti ka tejkaluar 100 mijë.

“SHBA-ja do t’u përgjigjet sulmeve në Kabul me forcë precize në kohën e duhur, vendin dhe momentin që do të zgjedhim”, tha ai.

Biden theksoi gjithashtu se ai urdhëroi komandantët amerikanë të zhvillojnë plane operacionale “për të goditur pozicionet e DEASH/Horosan, udhëheqjen dhe objektet e saj”, duke shtuar se ata mund të dërgojnë forca shtesë në Afganistan nëse është e nevojshme.

“Unë mbaj përgjegjësi thelbësore për gjithçka që ka ndodhur kohët e fundit”, shtoi ai.

“Unë kurrë nuk kam pasur qëndrim të sakrifikimit të jetëve amerikane për të krijuar një qeveri demokratike në Afganistan, e cila kurrë nuk ka qenë e bashkuar dhe e përbërë nga fise që nuk janë pajtuar kurrë”, tha presidenti i SHBA-së.

“Do t’i vrasim terroristët kudo që janë”

Pas Bidenit, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki gjithashtu u bashkua me konferencën për media, duke folur për zhvillimet e fundit pas sulmit në Kabul.

“Ne do t’i qëllojmë këta terroristë dhe do t’i vrasim kudo që janë”, tha ajo, duke iu referuar grupit terrorist DEASH/Horosan.

Psaki theksoi se komandantët ushtarakë amerikanë vazhdojnë të besojnë se është “jetike” të largohen nga Kabuli deri në afatin e 31 gushtit.

Ajo tha se rreth 7.000 njerëz janë evakuuar në 12-13 orët e fundit nga Afganistani, duke shtuar se diskutimet me talebanët janë duke vazhduar rreth asaj se si të koordinohen për nxjerrjen e amerikanëve dhe aleatëve të saj nga Afganistani pas 31 gushtit.

“Ne jemi në kontakt të drejtpërdrejt me çdo qytetar amerikan (në Afganistan)”, tha ajo.

Më vonë të enjten, në një deklaratë për nderimin e viktimave të sulmit në Kabul, Biden urdhëroi që flamuri i kombit të ulej në gjysmë shtizë në Shtëpinë e Bardhë, në të gjitha ndërtesat dhe bazat publike, në të gjitha bazat ushtarake dhe detare, në të gjitha anijet ushtarake detare dhe vende të tjera të lidhura “deri në perëndim të diellit” më 30 gusht.

“Unë gjithashtu urdhëroj që flamujt të ulen në gjysmë shtizë për të njëjtën kohë në të gjitha ambasadat, zyrat konsullore të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit, përfshirë të gjitha objektet ushtarake, anijet dhe bazat detare”, thuhet në deklaratë.

Drejtori i CIA-s takohet me Talebanët, ndërsa rritet vala e të evakuuarve nga Afganistani

VOA

Ushtria amerikane ka realizuar numrin më të madh të fluturimeve të evakuimit nga Afganistani që kur filloi operacioni, por dhuna vdekjeprurëse që ka bllokuar shumë vetë të dëshpëruar për t’u evakuuar të hyjnë në aeroportin e Kabulit vazhdoi dhe talebanët sinjalizuan se së shpejti mund të kërkojnë të ndërpresin transportin ajror.

Në mes të operacionit të tensionuar për të nxjerrë njerëzit nga vendi, drejtori i CIA-s William Burns shkoi në mënyrë sekrete në Kabul të hënën për t’u takuar me udhëheqësin kryesor politik të talebanëve, tha një zyrtar amerikan për agjencinë Associated Press.

Rreth 21,600 njerëz dolën jashtë Afganistanit të kontrolluar nga talebanët në periudhën 24-orëshe që përfundoi herët të martën, tha Shtëpia e Bardhë.

Tridhjetë e shtatë fluturime ushtarake amerikane evakuuan afërsisht 12,700 persona, 8,900 të tjerë u transportuan me 57 avionë të vendeve aleate.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha të hënën se ritmi më i shpejtë i evakuimit ishte pjesërisht për shkak të koordinimit me komandantët talebanë për futjen e të evakuuarve në aeroport.

“Deri tani, dhe me tej duhet koordinim dhe shmangie e vazhdueshme konflikti me talebanët,” tha zoti Kirby. “Kemi parë se kjo metodë ka funksionuar mirë përsa i takon qasjes dhe fluksit të njerëzve, si dhe zvogëlimit të përmasave të turmave jashtë aeroportit.”

Drejtori I CIA-s Burns dhe udhëheqësi kryesor politik i talebanëve, Abdul Ghani Baradar, patën një takim sekret në Kabul të hënën ndërsa evakuimet vazhduan. Gazeta Washington Post ishte e para që njoftoi për takimin e zotit Burns. Zyrtari amerikan më vonë konfirmoi takimin për agjencinë AP.

Me qasjen ende të vështirë, ushtria amerikane doli nga aeroporti për të kryer një transportim tjetër të amerikanëve me helikopter. Zyrtarët amerikanë thanë se një helikopter ushtarak mori 16 shtetas amerikanë të hënën dhe i solli ata në aeroport për evakuim. Ky ishte të paktën i dyti mission i tillë i shpëtimit përtej aeroportit.

Këshilltari i Presidentit Joe Biden për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, tha në Shtëpinë e Bardhë se bisedimet me talebanët po vazhdojnë ndërsa administrata kërkon mënyra shtesë për të zhvendosur në mënyrë të sigurt më shumë amerikanë dhe të tjerë në aeroportin e Kabulit deri në fund të gushtit.

“Ne jemi në bisedime me talebanët çdo ditë përmes kanaleve politike dhe të sigurisë,” tha ai, duke shtuar se në fund të fundit do të jetë vetëm vendimi i presidentin Biden nëse do të vazhdojë operacionet e evakuimit të drejtuara nga ushtria përtej 31 gushtit, data që ai ka caktuar për përfundimin e tërheqjes së trupave.

Ligjvënësi demokrat i Kalifornisë, Adam Schiff, kryetar i komisionit të zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, u tha gazetarëve se e kishte të vështirë ta imagjinonte se transporti ajror do të përfuntonte deri në 31 gusht.

Pentagoni tha se ka shtuar një bazë të katërt ushtarake amerikane, në Nju Xhersi përveç atyre në Virxhinia, Teksas dhe Uiskonsin – që janë përgatitur për të strehuar përkohësisht afganët që vijnë në Shtetet e Bashkuara. Gjeneral Majori Hank Williams, zëvendës drejtor i Shtabit të Përbashkët për operacionet rajonale, u tha gazetarëve se 1,200 afganë ndodhen aktualisht në këto baza. Të katër bazat së bashku janë në gjendje të strehojnë deri në 25,000 të evakuuar, tha zoti Kirby.

(Video) Senatori John McCain më 2014: Antony Blinken është i rrezikshëm për SHBA…

..

Senatori i ndjerë John McCain, R-Ariz, kishte paralajmëruar në vitin 2014 se Sekretari i tanishëm Shtetit Antony Blinken, është “i rrezikshëm për Amerikën”. Këto komente u rishfaqën në internet mes tërheqjes së rëndë të trupave amerikane nga Afganistani. Komentet e senatorit vijnë nga fjalimi i tij opozitar kundër nominimit të Blinken për të qenë zëvendëssekretar shteti nën ish -Presidentin Obama.

“Unë ngrihem për të diskutuar kundërshtimin tim ndaj votimit në pritje në lidhje me Antony ‘Tony’ Blinken, i cili jo vetëm që nuk është i kualifikuar, por, në fakt, sipas mendimit tim, është një nga përzgjedhjet më të këqija të një shorti shumë të keq që ka zgjedhur ky president, “McCain e shfajësoi Blinken, i cili përfundimisht u konfirmua në post në 2015. McCain vuri në dukje se nuk ishte shumë “shpesh” që ai kundërshtoi hapur një kandidat presidencial në Senat, pasi ai besonte se “zgjedhjet kanë pasoja”, por ai paralajmëroi se Blinken ishte një rrezik për kombin dhe anëtarët e shërbimit të tij.

“Në këtë rast, ky individ ka qenë në të vërtetë i rrezikshëm për Amerikën dhe për të rinjtë dhe të rejat që po luftojnë dhe i shërbejnë asaj,” tha McCain. “Le të rishikojmë disa nga disa elementë në veçanti dhe rolin e zotit Blinken në konceptimin dhe avancimin e tij,” tha McCain. Senatori vuri në dukje se politika e jashtme amerikane në atë kohë ishte në “rrëmujë”. Ai gjithashtu i vuri në dukje Blinken për pretendimin e tij se lufta në Afganistan do të bëhej deri në vitin 2014, me Blinken duke pretenduar se orari i konfliktit “nuk do të ndryshonte”. “Kjo është arsyeja pse unë jam kaq i shqetësuar që ai të jetë në pozicionin që ai është,” vazhdoi McCain, duke u bërë më i animuar. “Sepse nëse ata i përmbahen këtij orari, unë po u them kolegëve të mi se do të shohim një përsëritje të Irakut përsëri”.

Administrata e Biden është vënë në qendër të një uragani pyetjesh dhe polemikash rreth tërheqjes së trupave amerikae nga Afganistani, të cilat panë që talebanët të merrnin me shpejtësi vendin. Mijëra qytetarë amerikanë mbetën të bllokuar në Afganistan me administratën e Bidenit, që po përpiqej t’i nxirrte ata jashtë vendit.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe Kryetari i Përgjithshëm i Shtabit Gjeneral Mark Milley u zotuan të mërkurën se do t’i nxjerrin “të gjithë” amerikanët dhe do të kthehen në shtëpi.

 

 

Parid Turdiu i shkruan Presidentit Joe Biden

Parid Turdiu, një personalitet i njohur nga Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në SHBA i ka shkruar letër Presidentit Amerikan Joe Biden.

Në rrjetin social Parid Turdiu shkruan se “Presidenti Biden tha ne maj se qeveria dhe ushtria e Afganistanit nuk do thyhej.”Por shton ai “Doli se DASH kishte informacion te gabuar nga qeveria afgane dhe OJQ-te. Njesoj, shuplaka e DASH ndaj Doktorit ishte e gabuar.”

Dhe më poshtë Parid Turdiu vë në dukje se për çfarë i kishte shkruar Presidentit të SHBA:

I shkruajta Presidentit Biden se:
1. Presidenti Berisha nuk eshte i korruptuar. Perkundrazi, eshte asket: as jahte, as aeroplane, as udhetime, as kokaine, as femra, as rroba firmato.
(E shoqja nuk ka pune fare; eshte nene shqiptare dhe mjeke. Femijet mund te jene ambicioze, por krejt brenda standartit te femijeve te presidentëve amerikane dhe europiane. Nuk jemi ne Korene e Veriut.)
2. Presidenti Berisha nuk e minon por e forcon demokracine shqiptare, se eshte zeri me i fuqishem i opozites. Goditja ndaj tij e tremb Partine Demokratike – ne opozite prej 3 mandatesh – dhe i mbyll gojen, duke i siguruar regjimit nje avantazh te ngurtesuar. Kështu forcohet demokracia?!
Korrupsionin e lufton rrotacioni.
3. Katër presidentë amerikane e kane vleresuar pres. Berisha si mik te madh te USA. Tani doli armik?!
Ju mburrni besën shqiptare, po ku eshte besa e Amerikes?
USA nuk duhet t’i braktise miqte e saj, se do e humbe edhe ate kredibilitet qe i ka ngelur.
Si patriot amerikan, kjo nuk më pelqen fare.
Nuk mund t’i kerkohet PD e pamundura – te shkele besën shqiptare duke perjashtuar kreun e saj historik.
Mos u merrni me çeshtje aq te brendshme, se kush eshte ne nje grup parlamentar ne kuvendin e Shqiperise, por ruhuni nga servilat korrupte te ambasadave, qe pasi prishën Afganistanin do prishin edhe Shqiperine.”

AP, thirrje guvernatorit të Floridas: Ndal bulizmin ndaj gazetarit

Marrë nga Associated Press

Twitter ka bllokuar llogarinë e zëdhënëses së guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis për shkeljen e rregulloreve kundër “sjelljes abusive” pasi agjencia e lajmeve Associated Press tha se sjellja e zyrtares bëri që një gazetar të bëhej objekt kërcënimesh e mesazhesh fyese.

Ndihmësja e zotit DeSantis, Christina Pushaw, nuk do të jetë në gjendje të përdorë Twitterin për 12 orë, tha një zëdhënëse e kompanisë.

Më parë të premten, një zyrtare e agjencisë së lajmeve i shkroi zyrës së zotit DeSantis që t’i kërkonte ndihmëses të ndalte “sjelljen abusive”.

“Ju (Twitter) nuk lejoni sekretaren e shtypit të një zyrtari të zgjedhur të komentojë në Twitter, por lejoni talebanët të postojnë komente që morën Afganistanin?” shkruante zonja Pushaw, duke shtuar se korporatat e fuqishme teknologjike shpesh u mbyllin gojën atyre që sfidojnë reflektimin falso të realitetit.

Zonja Pushaw hodhi poshtë akuzat se kishte nxitur pasuesit e saj të vinin në shenjestër gazetarin, megjithëse kishte ripostuar në llogarinë e saj një artikull të gazetarit, duke i shtuar komentin “vëreni përpara”. Komenti tani është fshirë.

Ajo kishte kundërshti ndaj një artikulli të gazetarit Brendan Farrington që raportonte se një ndër donatorët e fuqishëm të guvernatorit ishte investitor në kompaninë që prodhon ilaçin Regeneron kundër COVID-19, të cilit Guvernatori DeSantis i ka bërë shumë reklamë.

Ajo kishte shkruar se nëse ai nuk ndryshonte artikullin ajo “do ta demaskonte publikisht”.

Më pas ajo tha se komentet nuk ishin me qëllim për të nxitur kërcënime dhe sapo kishte mësuar se gazetari ishte shenjestruar kishte bërë thirrje të ndalte kjo sjellje. VOA

Biden: SHBA në Afganistan derisa të evakuohen të gjithë shtetasit amerikanë

Carla Babb

Presidenti amerikan Joe Biden u zotua se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë në Afganistan derisa të evakuohen të gjithë qytetarët amerikanë që duan të largohen, ndërsa ai këmbëngul në vendimin e tij për t’u tërhequr nga ky vend, pavarësisht kaosit të shkaktuar.

“Unë nuk mendoj se kjo mund të ishte trajtuar në një mënyrë që pas zhvillimeve atje të mund të rishqyrtohej çështja, por nuk e di se si mund të ndodhte një tërheqje pa patur njëfarë kaosi”, tha Presidenti Biden në një intervistë me gazetarin e kanalit ABC News, George Stephanopoulos. Ai nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me skenat e afganëve që ishin ngjitur në një avion amerikan ndërsa ai po nisej nga pista, duke i quajtur ato ngjarje që kishin ndodhur “ditë më parë”.

Presidenti theksoi se ushtria amerikane ka nën kontroll aeroportin dhe po evakuon mijëra njerëz me synim largimin e të gjithë atyre që kanë nevojë të evakuohen, si amerikanë ashtu edhe afganë, deri më 31 gusht.

Kur u pyet nëse trupat amerikane do të qëndronin më gjatë nëse Shtetet e Bashkuara nuk arrijnë të evakuojnë të gjithë njerëzit në afatin e 31 gushtit, Presidenti Biden tha: “Nëse ndodh kjo, ne do të analizojmë situatën për të mësuar se kush ka mbetur atje. Dhe nëse do të ketë shtetas amerikanë të paevakuuar, ne do të qëndrojmë atje derisa t’i nxjerrim ata nga vendi.”

Mospërfshirja e afganëve të rrezikuar dhe aplikantëve të Vizave Speciale të Imigrimit në përgjigjen e tij ka të ngjarë të shqetësojë mijëra njerëz që ende nuk janë evakuuar dhe aleatët e tyre amerikanë të cilët po përpiqen t’i evakuojnë ata.

Zyrtarët e Pentagonit thanë të enjten se ushtria amerikane ka evakuuar 7,000 njerëz në ditët e fundit, duke e çuar në 12,000 numrin total të personave të evakuuar që nga fundi i korrikut.

Shqetësimet po rriten nga njoftimet se afganët dhe shtetasit amerikanë kanë hasur në probleme për të arritur në aeroport për shkak të pikave të kontrollit të ngritura nga talibanët. Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë të komunikojnë me komandantët lokalë talibanë në terren për të lejuar kalimin e njerëzve nëpër këto pika kontrolli.

“Kjo ka të bëjë më shumë me identifikimin dhe vërtetimin e indentitetit, që ne mund ta bëjmë, të atyre njerëzve që duhet të kalojnë nëpër këto pika kontrolli. Dhe ne kemi parë shenja këtë mëngjes se ai proces po funksionon”, tha për gazetarët të enjten zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin u tha gazetarëve në Pentagon të mërkurën se trupat amerikane do të përqëndrohen në mbrojtjen e aeroporteve. Kaosi dhe paniku të hënën bllokuan trafikun ajror atje për orë të tëra dhe çuan në vdekje të shumta.

“Unë aktualisht nuk kam aftësinë për të dalë jashtë (aeroporteve) dhe për të zgjeruar operacionet në Kabul”, tha Sekretari Austin.

Deri në 15,000 amerikanë dhe dhjetëra mijëra afganë të rrezikuar mbeten në Afganistan pasi talibanët morën kontrollin e plotë të vendit fundjavën e kaluar.

Në intervistën, e cila u transmetua të enjten, Presidenti Biden tha se edhe me talebanët në pushtet në Afganistan, ai ende sheh një kërcënim më të madh nga al-Kaida dhe organizatat e lidhura me të në rajone të tjera.

“Ne duhet të përqëndrohemi në zonat ku kërcënimi është më i madh”, tha Presidenti Biden, duke iu referuar “problemeve në rritje” në Afrikë dhe Siri.

Ai gjithashtu mbrojti vendimin e administratës së tij bazuar në raportet e shërbimeve të zbulimit që vinin nga Afganistani, duke thënë se në raportet që ai ka parë thuhej se ishte “më e mundshme që deri në fund të vitit” talibanët të merrnin kontrollin e vendit dhe se kolapsi i qeverisë në një kohë kaq të shkurtër nuk ishte parashikuar.

Komentet e tij i bënë jehonë atyre të Gjeneralit Mark Milley, shef i shtatmadhorisë amerikane, i cili u tha gazetarëve të mërkurën se afati kohor i një kolapsi të qeverisë “u vlerësua gjerësisht dhe shkonte nga disa javë në muaj apo edhe vite pas largimit tonë”.

“Askush nuk kishte parashikuar një kolaps të kësaj ushtrie dhe kësaj qeverie në 11 ditë”, shtoi ai.

Megjithatë, një zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane, duke folur për Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti, tha se komuniteti amerikan i zbulimit “identifikoi vazhdimisht rrezikun e një kolapsi të shpejtë të qeverisë afgane”.

“Ne gjithashtu u bëmë më pesimistë për mbijetesën e qeverisë pas intensifikimit të luftimeve. Megjithatë, qeveria afgane u rrëzua edhe më shpejt nga sa kishim parashikuar”, tha zyrtari.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti u takua me ekipin e tij të sigurisë kombëtare për të diskutuar azhurnimet e sigurisë, sigurisë diplomatike dhe inteligjencës në Afganistan të enjten. Ekipi i tij diskutoi statusin e operacioneve në Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai dhe përpjekjet për të evakuuar qytetarët amerikanë, personelin e ambasadës, aplikantët për Viza të Posaçme Imigrimi dhe familjet e tyre, si dhe afganët e pambrojtur sa më shpejt që të jetë e mundur.

Biden: Trupat do të qëndrojnë në Afganistan për të evakuuar amerikanët

Marrë nga Associated Press

UASHINGTON (AP) – Presidenti Joe Biden tha të mërkurën se ai është i përkushtuar për të mbajtur trupat amerikane në Afganistan derisa të evakuohet çdo amerikan, edhe nëse kjo do të kërkonte të mbahej një prani ushtarake atje përtej afatit të 31 gushtit.

Presidenti gjithashtu hodhi poshtë kritikat se Shtetet e Bashkuara duhet të kishte bërë më shumë për të planifikuar evakuimin dhe tërheqjen, që është shoqëruar me skena dhune dhe kaosi, ndërsa mijëra vetë u përpoqën të largohen ndërsa talebanët morën pushtetin.

Në një intervistë me George Stephanopoulos të kanalin ABC News, Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë “gjithçka në fuqinë e tyre” për të evakuuar amerikanët dhe aleatët amerikanë nga Afganistani para afatit.

I pyetur në mënyrë të përsëritur se si administrata do të ndihmonte amerikanët që do të mbeten në vend pas 31 gushtit, Presidenti Biden tha, “Nëse kanë mbetur qytetarë amerikanë, ne do të qëndrojmë derisa t’i nxjerrim të gjithë”.

Deri në 15,000 amerikanë janë në Afganistan pasi talebanët morën kontrollin e plotë të vendit fundjavën e kaluar.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha më herët të mërkurën se ushtria amerikane nuk ka forca dhe fuqi luftarake ajrore në Afganistan për të zgjeruar misionin e saj aktual përtej sigurimit të aeroportit të Kabulit për të grumbulluar amerikanët dhe afganët në rrezik diku tjetër në kryeqytet dhe për t’i shoqëruar ata për t’u evakuuar.

Pyetja nëse ata që kërkojnë të largohen nga vendi para afatit të Presidentit Bidenit duhet të shpëtohen dhe të sillen në aeroport, është ngritur mes njoftimeve se pikat e kontrollit të talebanëve kanë ndaluar disa qytetarë të caktuar.

“Unë nuk kam aftësinë për të dalë më tej dhe për të shtrirë operacionet aktuale jashtë Kabulit,” tha sekretari Austin.

Austin, një gjeneral në pension i ushtrisë me katër yje i cili komandoi forcat në Afganistan, foli në konferencën e tij të parë për shtyp në Pentagon që kur talibanët erdhën në pushtet në Kabul të dielën.

Ai tha se Departamenti i Shtetit po dërgonte më shumë oficerë të çështjeve konsullore për të përshpejtuar përpunimin e dokumentave të të evakuuarve.

“Ne nuk jemi aty ku duam të jemi” për sa i përket ritmit të transportit ajror, tha sekretari Austin.

Ai tha se operacionet ishin përqendruar kryesisht në aeroportin, i cili u përball me “një numër kërcënimesh” që duhet të monitorohen.

“Ne nuk mund të mos mbrojmë atë aeroport ose të mos kemi një fushë ajrore të sigurt, ndërsa kemi qindra ose mijëra civilë që mund të hyjnë në aeroport,” tha ai, duke shtuar se bisedimet me talebanët po vazhdonin për të siguruar kalim të sigurt për ata që duhen evakuuar.

Sekretari Austin tha se kishte rreth 4.500 trupa amerikane në aeroport, që ruajnë sigurinë për të mundësuar operacionin e evakuimit të drejtuar nga Departamenti i Shtetit, i cili është shënuar nga kaosi dhe konfuzioni.

Presidenti Biden, megjithatë, i tha rrjetit ABC se nuk kishte asgjë që administrata e tij mund të kishte bërë për të shmangur një kaos të tillë.

“Ideja që mund të kishte një mënyrë për të dalë pa pasur kaos, nuk e di se si mund të kishte ndodhur ndryshe kjo,” tha Presidenti Biden.

Oficerë të lartë ushtarakë amerikanë po bisedojnë me komandantët talebanë në Kabul për pikat e kontrollit dhe orët policore që kanë kufizuar numrin e amerikanëve dhe afganëve që janë në gjendje të hyjnë në aeroport.

John Kirby, zëdhënësi kryesor i Pentagonit, tha se gjatë 24 orëve rreth 2,000 njerëz, përfshirë 325 shtetas amerikanë, ishin larguar në bordin e 18 fluturimeve të avionëve transportues C-17 të Forcave Ajrore Amerikane. Numri i fluturimeve të Forcave Ajrore ka të ngjarë të jetë i ngjashëm në 24 orët e ardhshme, tha zoti Kirby, megjithëse shtoi se nuk mund të vlerësonte sa njerëz do të transportonin.

Ai tha se administrata po shqyrtonte opsionet e saj për t’u marrë me një problem tjetër – braktisjen nga forcat afgane të sigurisë të një sërë pajisjesh ushtarake, armësh dhe avionësh që kanë rënë në duart e talebanëve ose grupeve të tjera militante.

“Ne, natyrisht, nuk duam t’i shohim pajisjet tona në duart e atyre që do të vepronin kundër interesave tona ose interesave të popullit afgan dhe do të shtonin dhunën dhe pasigurinë brenda Afganistanit,” tha zoti Kirby. “Ka shumë zgjedhje të politikave që mund të ndërmerren, duke përfshirë deri shkatërrim e tyre”. Ai tha se këto vendime nuk janë marrë ende.

Zoti Kirby tha se disa qindra trupa të tjerë amerikane pritet të mbërrijnë në aeroport deri të enjten.

Një njësi e Forcave Ajrore që është e specializuar në ngritjen dhe mirëmbajtjen e shpejtë të operacioneve të aeroportit mbërriti gjatë natës, tha zoti Kirby. Ai tha se marinsat e trajnuar në mbështetjen e evakuimit kanë vazhduar të mbërrijnë dhe do të ndihmojnë në marrjen e civilëve në fluturime.

Jake Sullivan, këshilltar për sigurinë kombëtare i Presidentit Biden. të martën pranoi njoftimet se disa civilë po hasnin vështirësi duke u kthyer mbrapsht ose duke u rrahur” – ndërsa përpiqeshin të shkonin në aeroportin e Kabulit.

Departamenti i Shtetit tha se po dërgonte zotin John Bass, një ish -ambasador në Afganistan, për të menaxhuar operacionin e evakuimit në Kabul.

Gjeneralmajori i ushtrisë Christopher Donohue, një oficer i operacioneve speciale dhe komandanti aktual i Divizionit të 82 -të Ajror, ka mbërritur për të marrë komandën e operacioneve të sigurisë së aeroportit.

Shtohet presioni ndaj Presidentit Biden pas tërheqjes kaotike nga Afganistani

VOA

Mbrëmjen e së martës Presidenti Joe Biden u kthye në Shtëpinë e Bardhë duke ndërprerë herët pushimet, ndërsa përballet me presion në rritje mbi tërheqjen kaotike të forcave amerikane në Afganistan dhe rënien e shpejtë të qeverisë në Kabul. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara, përgatiti materialin me të rejat e fundit.

Skenat kaotike të afganëve të dëshpëruar që përpiqen të largohen nga vendi, theksuan atë që gjerësisht perceptohet si plani i dobët i Administratës Biden për tërheqje nga lufta më e gjatë e Amerikës.

“Pamjet e ditëve të fundit në aeroport ishin dëshpëruese, por Presidentit Biden iu desh të mendonte edhe për koston njerëzore të rrugës alternative të qëndrimit në një konflikt civil në Afganistan”, tha Jake Sullivan, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Pas rimarrjes së shpejtë të Afganistanit nga talebanët, ShBA po përpiqet të evakuojë mijëra amerikanë dhe aleatë afganë.

“Ne po u japim përparësi disa grupeve, si qytetarëve amerikanë, punonjësve të ambasadës dhe familjeve të tyre, personelit lokal, atyre me visa speciale imigruese dhe aplikuesve, afganëve që kualifikohen për programet e refugjatëve si përkthyes, që mund të kenë ndihmuar mediat dhe të tjerët”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Deri në mbrëmjen e së martës, zyrtarët thanë se ShBA evakuoi më shumë se 3,200 njerëz, përfshirë personlin e Ambasadës Amerikane, shtetas amerikanë, afganë dhe qytetarë nga vende të treta. Gjithashtu, ShBA transportoi rreth 2 mijë emigrantë specialë afganë në Shtetet e Bashkuara.

Administrata po negocion me talebanët për të vazhduar evakuimin, të paktën deri në fund të gushtit.

“Talebanët na informuan se janë të përgatitur për të siguruar kalimin e sigurt të civilëve në aeroport dhe ne synojmë t’i mbajmë në këtë zotim”, tha Jake Sullivan.

Të martën, talebanët patën konferencën e parë për shtyp, që nga marrja e kontrollit.

Në shfaqjen e parë publike, zëdhënësi Zabihullah Mujahid u zotua se Afganistani nuk do të bëhet strehë e terrorizmit dhe do të garantojë të drejtat e grave sipas Sheriatit.

Ai tha se talebanët do të amnistojnë ata që luftuan kundër tyre dhe se do të krijojnë një qeveri gjithëpërfshirëse.

“Ne nuk duam luftë. Duam paqe në Afganistan, prandaj u zhvilluan bisedimet”, tha ai.

Duke ditur të kaluarën e dhunshme të talebanëve, shumë dyshojnë mbi këto zotime.

Bashkëpunimi i talebanëve për evakuimin e sigurt të qytetarëve amerikanë dhe aleatëve afganë do të jetë testi kyç për administratën Biden.

“Nëse shihet se do të ketë proceseve të përgjegjshme për këto dhe çështje tjera, si kërcënimet e mundshme terroriste në të ardhmen, ose përparimi i rajonit në një periudhë afatgjatë, që është edhe strategjia jonë, mendoj se mund të krijohet një imazh i besueshëm, brenda dhe jashtë vendit. Por do të duhet punë e madhe dhe rezultate konkrete”, thotë Earl Anthony Wayne nga Qendra Wilson.

Zoti Biden u largua herët nga vendpushimi presidencial Camp David për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë mbrëmjen e së martës.

Ai po përballet me kritika nga ligjvënësit republikanë dhe demokratë, të cilët janë zotuar të hetojnë mënyrën e tërheqjes nga Afganistani, që deri tani është kriza më e madhe e politikës së jashtme të Presidentit Biden.

Ish-marinsi amerikan që vrau Osama Bin Laden: Tërheqja nga Afganistani humbja më turpëruese

Ish-marinsi i Marinës amerikane që vrau Osama bin Laden e ka quajtur Joe Biden ‘një fatkeqësi’ për shkak të vendimit të tij për tërheqjen e trupave nga Afganistani dhe e cilësoi përshkallëzimin e krizës si ‘humbjen më të keqe në historinë e Amerikës”.

Ish-marinsi i pensionuar Robert O’Neill ka hedhur një sërë statusesh në ditët e fundit duke kritikuar administratën e Biden, pasi talebanët morën kontrollin e Afganistanit në prag të largimit të ushtrisë amerikane.

“Pra, situata në Afganistan është një katastrofë,” shkroi O’Neill të hënën pasdite.

“Kjo është humbja më e keqe në historinë amerikane. Presidenti ynë i ashtuquajtur më popullor është zhdukur. Më dëshmoni se jam gabim”.

Afganistani ra në duart e talebanëve brenda pak ditësh, në vend të 30-90 ditëve që parashikuan analistët e inteligjencës amerikane, duke zhbërë përfitimet me vlerë prej dy dekadash nga trupat amerikane të stacionuara në vend pas 11 shtatorit 2001, shkruan Daily Mail.

Luftëtarët ekstremistë bënë përparime të mëdha në të gjithë vendin gjatë fundjavës para se të kapnin kryeqytetin Kabul të dielën, duke bërë që zyrtarët amerikanë të përshpejtonin evakuimin e personelit të ambasadës amerikane, qytetarëve dhe shtetasve afganë jashtë vendit.

Biden mbajti një qëndrim sfidues në një fjalim drejtuar kombit të hënën pasdite, ku ai pranoi se kolapsi i qeverisë afgane ishte më i shpejtë nga sa parashikohej nga SHBA, por këmbënguli se ai qëndron prapa vendimit të tij për të tërhequr trupat. Express

Analistët vlerësojnë tërheqjen nga Afganistani, kritikojnë mënyrën e tërheqjes

Analistët në Shtetet e Bashkuara thonë se tërheqja nga Afghanistani ishte vendimi i duhur, por kritikuan mënyrën se si po realizohet ajo. Ndërsa Presidenti Biden fajësoi forcat afgane që e dorëzuan pothuajse pa luftë vendin, ekspertët thonë se administrata duhet të ishte përgatitur për çdo skenar. Siç njofton kolegia Keida Kostreci, një nga shqetësimet kryesore është siguria e afganëve që kanë punuar me Shtetet e Bashkuara.

Studiuesi i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, Charles Kupchan, thotë se Presidenti Biden përballej me një sfidë shumë të vështirë, daljen nga një luftë e pasuksesshme.

“Sipas mendimit tim është gjykimi i duhur sepse siç tha zoti Biden, nuk ka prova se gjashtë muaj të tjerë, një vit tjetër ose dy vjet të tjerë do ta kishin ndryshuar rezultatin”, i tha ai shërbimit shqip të Zërit të Amerikës.

Sipas zotit Kupchan, fakti që qeveria afgane ra aq shpejt dhe Talebanët morën kontrollin tregoi se misioni nuk po funksiononte. Por ai a pranon që ekzekutimi i tërheqjes linte për të dëshiruar. Analistë të tjerë, janë edhe më të drejtpërdrejtë.

“Është e qartë se zoti Biden e pranoi se menaxhimi i kësaj situate ishte katastrofik dhe kjo do të jetë një goditje me të cilën ai do të duhet të përballet ”, i tha shërbimit Urdu të Zërit të Amerikës, David Des Roches, profesor në Qendrën për Studime Sigurie të Lindjes së Afërme dhe Azisë Jugore.

Douglas Lute,Gjeneral në pension dhe ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO tha se ishte gabim i madh tërheqja e ushtrisë, duke lënë pas komunitetin diplomatik dhe civil si edhe afganët që kishin punuar me amerikanët.

“Sepse kur talebanët u përhapën në gjithë vendin, kjo popullsi civile mbeti veçanërisht e pambrojtur, kështu që unë do të kisha preferuar të shihja një tërheqje më të rregullt dhe të përgjegjshme, duke i dhënë përparësi civilëve dhe në fund largimit të ushtrisë”, tha ai për shërbimin gjeorgjian të Zërit të Amerikës.

Zoti Lute dhe zoti Kupchan bien dakord se ndërsa misioni anti-terrorizëm i Shteteve të Bashkuara në Afanistan ishte realizuar në masë të madhe, ai i shtetformimit dështoi, në pjesë të madhe falë kompleksitetit të grupimeve në Afganistan dhe asaj që zoti Lute i referohet si luftë civile.

Zoti Kupchan e pranon se mënyra se si u zhvilluan ngjarjet ditët e fundit, është një goditje ndaj besueshmërisë së Shteteve të Bashkuara në botë, por beson se është e përkohëshme.

“Mendoj se në aspektin afatgjatë kjo do të funksionojë në favor të Shteteve të Bashkuara, pjesërisht sepse një nga arsyet që SHBA po largohet nga Afganistani dhe zvogëlon praninë e saj në Lindjen e Mesme është të përqëndrojë vëmendjen diku tjetër, veçanërisht në Azi – Paqësor”.

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Madaleine Albright, thotë se është një përgjegjësi morale dhe në interes të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara mbrojtja e aleatëve afganë.

“Kjo padyshim që nuk është një ndërmarrje e thjeshtë. Kërkon një përpjekje herkuliane jo vetëm nga forcat tona në terren, por nga e gjithë qeveria amerikane, përfshirë degët ekzekutive dhe legjislative. Angazhimi dhe mbështetja e Kongresit ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë thelbësore për të realizuar këtë mision”, tha ajo.

Pjesë e përpjekjeve për garantuar sigurinë e atyre që kanë punuar me Shtetet e Bashkuara, ka qenë edhe vendimi nga vende si Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut për të pranuar qytetarë afganë, me kërkesën e Shteteve të Bashkuara. Zoti Kupchan thotë se SHBA janë mirënjohëse.

“Tani për tani mendoj se gjëja kryesore është t’i çojmë ata në një vend ku të jenë të sigurt që të fillojnë të plotësojnë dokumentat dhe procedurat e duhura të kontrollit dhe hapat e tjerë të nevojshëm për statusin e refugjatit dhe për zhvendosjen përfundimtare. Por duke pasur parasysh situatën në Kabul duke pasur parasysh sa shpejt po zhvillohen ngjarjet, mendoj se administrata Biden është shumë mirënjohëse për çdo vend që është i gatshëm të ndihmojë”.

Në përgjigje të kërkesës së Zërit të Amerikës për koment për këtë çështje, një zëdhënës i Departamenti të Shtetit tha se SHBA i vlerëson thellësisht vendet që kanë ofruar mbështetje me ikjen nga Afganistani të qytetarëve amerikanë dhe afganë.

Por ndërsa këto përpjekje vazhdojnë, zonja Albright thotë se SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar, duhet të mendojë për ata që mbeten pas.

“Ne nuk mund të harrojmë miliona afganë, veçanërisht gratë, të cilët rrezikojnë të humbasin përparimet e konsiderueshme të bëra gjatë dy dekadash sakrificë. Mbrojtja e grave afgane duhet të jetë përparësi dhe unë do të luaj rolin tim që të garantoj që kjo të jetë në qendër të axhendës ndërkombëtare”, thotë ajo.

SHBA: Qëndrimi ynë do të përcaktohet sipas veprimeve të talebanëve

New York

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se qëndrimi i SHBA-së përballë qeverive të ardhshme në Afganistan do të jetë i lidhur me veprimet e qeverisë dhe të talebanëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për shtyp, Price deklaroi se i gjithë personeli i SHBA-së përfshirë edhe ambasadorin në Kabul janë transferuar në Aeroportin Ndërkombëtar “Hamid Karzai”, ku ata janë të sigurt. Sipas tij, Departamenti amerikan i Mbrojtjes po punon për të ndërtuar mjedis të sigurt dhe të besueshëm për vazhdimin e fluturimeve ushtarake dhe tregtare.

Duke bërë të ditur se SHBA-ja është në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, Price tha se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka biseduar në telefon me shumë ministra të jashtëm, përfshirë edhe homologun turk, Mevlüt Çavuşoğlu.

Pas pyetjes nëse do të vazhdojë apo jo SHBA të njohë presidentin Ashraf Ghani që u largua nga vendi, zëdhënësi Price theksoi se nuk ka dorëzim normal në qeverinë e vendit dhe se SHBA po punon bashkë me komunitetin ndërkombëtar se cili do të njihet si lider i Afganistanit.

“Vazhdojmë të bisedojmë me përfaqësuesit e talebanëve në Doha. Edhe ushtria e SHBA-së ka ndërtuar komunikim me talebanët në terren, në Kabul. Qëndrimet tona përballë qeverive të ardhshme në Afganistan do të jenë të lidhura me veprimet e asaj qeverie, me veprimet e talebanëve”, tha Price.

Më tej Price vuri në dukje se nuk do të punojnë me një qeveri që nuk respekton të drejtat themelore të njeriut dhe që strehon terroristë në Afganistan.

Ai theksoi se prania diplomatike do të vazhdojë për sa kohë që Aeroporti Ndërkombëtar “Hamid Karzai” është i sigurt. Price shtoi se në këtë mënyrë nga vendi mund të evakuohen shumë shtetas afganë që kanë ndihmuar SHBA-në.

Trump i bën thirrje presidentit Biden të japë dorëheqje për shkak të zhvillimeve në Afganistan

New York

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i bëri thirrje për dorëheqje presidentit Joe Biden, pasi talebanët morën nën kontroll kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim Trump u shpreh se “Ka ardhur koha që Joe Biden të japë dorëheqje me turp sepse lejoi të përjetohen ato që po ndodhin në Afganistan”.

“Kjo nuk duhet të jetë një gjë e rëndësishme. Sepse nuk u zgjodh në mënyrë legjitime”, theksoi Trump, lidhur me thirrjen e tij për dorëheqje ndaj Biden, duke kritikuar presidentin amerikan gjithashtu edhe në çështjet e rritjes së rasteve me COVID-19 në vend, migracionin e brendshëm, ekonominë dhe për energjinë.

Ndërsa në një njoftimin tjetër që publikoi përpara thirrjes për dorëheqje, ish-presidenti amerikan deklaroi se “Ajo që ka bërë Joe Biden në Afganistan është legjendë. Do të regjistrohet si një prej humbjeve më të mëdha në historinë e Amerikës”.

Procesi i dominimit të talebanëve në vend

Në kuadrin e marrëveshjes së paqes të arritur në shkurt 2020 mes SHBA-së dhe talebanëve, këtë vit filloi procesi i tërheqjes së forcave ndërkombëtare nga Afganistani.

Teksa marrëveshja parashikon që forcat e huaja të mos sulmohen, ajo nuk parashikon ndonjë dispozitë në lidhje me veprimet e talebanëve ndaj forcave afgane të sigurisë.

Talebanët të cilët vazhdojnë negociatat në Doha me qeverinë afgane, me sulme të ashpra të ndërmarra në mënyrë të njëkohshme që nga qershori dominuan me shpejtësi shumë rajone dhe qendra provinciale në muajin e fundit.

Po ashtu talebanët rrethuan kryeqytetin Kabul dhe teksa filluan të marrin nën kontroll lagjet periferike ata bënë thirrje për të marrë në dorëzim në mënyrë paqësore qeverinë dhe kryeqytetin.

Ndërkohë, presidenti afgan, Ashraf Ghani, në orët e mbrëmjes u largua nga vendi.

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, njoftoi se për shkak të largimit të forcave qeveritare filluan të marrin nën kontroll qytetin dhe ndërtesat publike.

Talebanët nëpërmjet një deklarate nga presidenca në Kabul shpallën dominimin e tyre në kryeqytet dhe në vend.

Refugjatët afganë- Komiteti i Senatit të SHBA: Shqiptarët po i tregojnë edhe njëherë botës çfarë është ‘’Besa’’

Komiteti për marrëdhëniet me jashtë i Senatit të SHBA ka mirëpritur vendimin e Shqipërisë për të strehuar refugjatë afganë.

Kryetari i Komitetit, Bob Menendez shkruan se populli i Shqipërisë po i tregon edhe njëherë botës se çfarë do të thotë ‘’Besa’’.

STATUSI NGA BOB MENENDEZ

Unë mirëpres vendimin e qeverisë shqiptare për t’u dhënë një strehë të përkohshme të sigurt atyre që ikin nga sulmet e talebanëve në Afganistan. Populli i Shqipërisë po i tregon edhe një herë botës se çfarë do të thotë “BESA”. Ju keni respektin dhe falenderimet tona.

SHBA: Pakicat racore në rritje; bie numri i të bardhëve

Ken Bredemeier

Përbërja demografike e SHBA po ndryshon me shpejtësi, sipas një raporti të ri mbi numërimin e popullatës të zhvilluar në 2020. Pritet që censusi të tregojë se shtimi i popullsisë së Amerikës gjatë dekadës së fundit ishte i gjithi falë shtimit të numrit të pakicave racore, ndërkohë që numri i të bardhëve ka rënë për herë të parë krahasuar me 10 vjet më parë.

Byroja e Censusit tha se popullata e Shteteve të Bashkuara është rritur 7.4% krahasuar me 2010, gjë që përfaqëson rritjen më të ulët të një dekade me përjashtim të periudhës së Depresionit të Madh në vitet 1930, krahasuar me çdo 10-vjeçar tjetër që kur filloi numërimi i popullatës në 1790.

Megjithëse nuk kanë dalë shifrat përfundimtar, përllogaritet paraprake tregojnë se 59.8% e popullatës së vendit është e bardhë, ndërsa 18.6% janë hispanikë, 12.5% afrikano-amerikanë dhe 9.1% me prejardhje aziatike apo të një grupi tjetër racor.

Një tjetër zhvillim i ri është fakti që shumica e të rinjve nën 18 vjeç u përkasin racave jo të bardha – një parathënie e ndryshimeve të tjera demografike në vend në dekadat e ardhshme.

Disa demografë thonë se të bardhët do të vazhdojnë të jenë grupi më i madh demografik në SHBA në 2045, por do të jenë në pakicë krahasuar me pakicat racore të marra së bashku.

Senati miraton paketën prej 3.5 trilionë dollarësh

Marrë nga Associated Press

UASHINGTON (AP) – Demokratët në Senat miratuan një paketë prej 3.5 trilionë dollarësh për forcimin e shërbimeve familjare, shëndetësore dhe programeve mjedisore të mërkurën herët, duke shënuar një fitore për vizionin e Presidentit Joe Biden për të ndryshuar përparësitë e qeverisë federale, vetëm disa orë pasi kishin miratuar një paketë tjetër prej 1 trilion dollarësh për infrastrukturën.

Rrezoluta për 3.5 trilionë dollarë u miratua vetëm me votat e demokratëve 50-49. Buxheti, nëse miratohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve, do të ishte një hap i rëndësishëm për presidentin dhe partinë demokrate, të vendosur për ta vënë fuqinë fiskale të qeverisë në ndihmë të familjeve, krijimit të vendeve të punës, si dhe për të luftuar ndryshimet klimatike.

Taksat më të larta për të pasurit dhe korporatat do të jenë ato që do të paguajnë për pjesën më të madhe të kësaj pakete. Miratimi erdhi pavarësisht një seri ndryshimesh të paraqitura nga republikanët, që synonin t’i bënin rivalët e tyre të paguajnë një çmim në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për kontrollin e Kongresit.

Drejtuesit e Dhomës së Përfaqësuesve njoftuan se ligjvënësit do të kthehen nga pushimet verore pas dy javësh, për të votuar mbi planin fiskal, i cili parashikon shpenzimin e 3.5 trilionë dollarëve gjatë dekadës së ardhshme. Miratimi përfundimtar në Kongres, i cili duket i sigurt, do ta mbronte atë nga një proces potencialisht bllokues, që mund të ndërmerrnin republikanët në të ardhmen, kur të diskutoheshin shpenzimet sipas zërave të veçantë.

Megjithatë, miratimi i këtij ligji do të jetë i paparashikueshëm pasi ligjvënësit e moderuar të partisë demokrate janë të shqetësuar për koston e lartë prej 3.5 trilionë dollarësh të paketës, që është vjen pas kërkesave të progresistëve në parti për një veprim edhe më agresiv. Partia demokrate kontrollon Dhomën e Përfaqësuesve me një diferencë shumë të ngushtë, ndërsa Senati i ndarë në mënyrë të barabartë, është i demokratëve vetëm për shkak të votës së nënpresidentes Kamala Harris.

Opozita e fortë e republikanëve duket e sigurtë.

Kryetari i Komisionit të Buxhetit në Senat Bernie Sanders, dikur një zë progresiv i papërfillur në Kongres dhe tani një figurë kombëtare me ndikim, tha se projektligji do të ndihmonte fëmijët, familjet, të moshuarit, punëtorët e më gjerë.

“Shpresoj gjithashtu që ky projektligj do të rikthejë besimin e popullit amerikan se ne mund të kemi një qeveri që punon për të gjithë, dhe jo vetëm për pak njerëz,” tha ai.

Republikanët argumentuan se propozimet e demokratëve do të sillnin shpenzime të kota, do të rrisnin taksat, do të nxisnin inflacionin dhe do të strukturonin kërkesat e së majtës ekstreme që do të dëmtonin amerikanët. Ata përdorën senatorin Sanders, një i vetëshpallur socialist demokratik, për të provuar të bindnin të gjithë demokratët që mbështesin paketën.

Guvernatori i Nju Jorkut njofton dorëheqjen

Marrë nga Associated Press

NJU JORK (AP)-Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo tha se do të japë dorëheqjen për shkak të serisë së akuzave për ngacmim seksual në një rënie spektakolare nga pika kulmore e karrierës së tij një vit më parë, kur u përshëndet gjerësisht në shkallë vendi për njoftimet e tij të hollësishme të përditshme dhe udhëheqjen gjatë ditëve më të errëta të COVID-19.

Vendimi i guvernatorit demokrat që ka shërbyer për tre mandate, i cili do të hyjë në fuqi pas dy javësh, u njoftua ndërsa po shtoheshin përpjekjet në legjislaturën e shtetit të Nju Jorkut për ta shkarkuar atë. Vendimi erdhi pasi Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut publikoi një javë më parë rezultatet e një hetimi që zbuloi se guvernatori Cuomo kishte ngacmuar seksualisht të paktën 11 gra.

Hetuesit thanë se ai i detyronte gratë për puthje të padëshiruara; i prekte në mënyrë të papërshtatshme; bënte batuta për pamjen e tyre dhe jetën e tyre seksuale; dhe krijoi një mjedis pune “të mbizotëruar nga frikë dhe kërcënimi”.

Mënyra më e mirë që mund të ndihmoj tani është të tërhiqem mënjanë dhe të lejojë qeverinë t’i kthehet punës,” tha zoti Cuomo në një konferencë shtypi.

Zëvendës-guvernatorja Kathy Hochul, një 62-vjeçare demokrate dhe ish-anëtare e Kongresit nga zona e Bufalos, do të bëhet guvernatorja e 57-të e shtetit dhe gruaja e parë që mban këtë post.

Skandali i epokës #MeToo ndërpreu jo vetëm një karrierë politike, por një dinasti: babai i Cuomos, Mario Cuomo, ishte guvernator në vitet 1980 dhe ’90, dhe Andrew Cuomo shpesh përmendej si një kandidat i mundshëm për president, një post që babai i tij i famshëm mendonte të kërkonte. Edhe pse skandali u zgjerua, Cuomo po planifikonte të kandidonte për t’u rizgjedhur në vitin 2022.

Cuomo ende përballet me mundësinë e akuzave penale, me një numër prokurorësh në të gjithë shtetin e Nju Jorkut që kërkojnë ta hetojnë atë.

Vargu i akuzave që çuan në rënien e guvernatorit, filluan të shpalosen në lajme dhjetorin e kaluar dhe vazhduan për muaj të tërë.

Cuomo i quajti disa prej akuzave të fabrikuara, duke mohuar me forcë se kishte prekur ndonjë njeri në mënyrë të papërshtatshme. Por ai e pranoi se i kishte vënë disa nga ndihmëset e tij në siklet me komentet, që ai tha se ishin pa keqdashje dhe kërkoi falje për disa nga sjelljet e tij.

Ai i portretizoi disa nga takimet si keqkuptime që i atribuohen dallimeve “mes brezave ose kulturave”, një referencë pjesërisht për edukimin e tij në një familje të dashur italo – amerikane.

Ndërsa fillimisht guvernatori Cuomo u shfaq sfidues për të mbajtur postin, ligjvënësit e shtetit filluan një hetim për shkarkimin e tij dhe pothuajse i gjithë institucioni demokratik në Nju Jork e braktisi atë-jo vetëm për akuzat, por edhe për shkak të njoftimeve se administrata e tij kishte fshehur mijëra vdekje nga COVID-19 në mesin e pacientëve të shtëpive të pleqve.

Hetimi për ngacmimet i urdhëruar nga Prokurorja e Përgjithshme dhe i kryer nga dy avokatë të jashtëm vërtetoi akuzat e grave dhe shtoi informacione të reja të hidhura. Publikimi i raportit e la guvernatorin më të izoluar se kurrë, me disa nga mbështetësit e tij më besnikë që e braktisën. Edhe Presidenti Joe Biden iu bashkua zërave që i bënë thirrje të jepte dorëheqjen. VOA

Një grua myslimane në krye të policisë së New York-ut, ndodh për herë të parë në histori

SHBA

Një grua myslimane emërohet për herë të parë në krye të Departamentit të Policisë në New York. Ajo është Filastine Srour, 38 vjeçe me origjinë arabe dhe është e para që arrin një nga gradat më të larta, duke hyrë në histori.

Filastine Srour lindi në Bronx nga emigrantë palestinezë. Prindërit e saj vijnë nga fshati Beit Nuba në Palestinë, ku ata jetuan para se të strehoheshin në kampin e refugjatëve në Qalandia, pranë Jeruzalemit, pasi u larguan nga fshati i tyre pas gjenocidit të vitit 1948.

Ëndrra për të hyrë në polici – Kapitenia i sapoemëruar ka një diplomë bachelor në kriminologji dhe një diplomë master në psikologjinë mjeko -ligjore. Ëndrra për t’iu bashkuar policisë filloi që e vogël, kur filloi të admironte luftën kundër krimit dhe angazhimin ndaj komunitetit nga agjentët në lagjen ku ajo jeton. Kështu filloi t’i admirojë ata duke ëndërruar për uniformën. Një ëndërr që realizohet në moshën 21-vjeçare, kur ajo bëhet oficere policie.

Që atëherë ajo ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së saj në patrullim, më pas është emëruar komandante skuadre, ndërsa tani promovohet kapitene.

Një shembull për të gjitha vajzat në botë – Filastine Srour luajti një rol të rëndësishëm në promovimin e çështjes palestineze në Nju Jork. E fundit ishte të bindte policinë e qytetit të ngrinte flamurin palestinez gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve. “Përkushtimi i saj për të luftuar krimin dhe përmirësimin e jetës së njujorkezëve padyshim që do ta çojë atë në vepra të mëdha,” shkroi Nypd Middle East & Turkic Society në një postim në Facebook. Dhe Shoqata e Oficerëve Mzslimanë Nypd shtoi: “Ju jeni një shembull i shkëlqyeshëm dhe një model për të gjitha vajzat në botë”.


Send this to a friend