VOAL

VOAL

Një kopje e Kushtetutës amerikane shitet për 43 milionë dollarë

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara.

Një kopje e rrallë e Kushtetutës amerikane është shitur për 43.2 milonë dollarë në një ankand.

Ky njëherësh ka qenë çmim rekord për një dokument historik.

Identiteti i blerësit nuk është bërë i ditur.

Dokumenti i blerë është vetëm një prej 1 1 kopje të Kushtetutës së nënshkruar më 17 shtator 1787, në Sallën e Pavarësisë nga themeluesit e Amerikës.

Sipas udhëheqësve të ankadit, ky dokument është planifikuar të shitet për 15 deri në 20 milionë dollarë.

Një grup prej rreth 17,000 investitorësh të valutave digjitale nuk ka arritur të fitojë ankadin.

Grupi, KushtetutaDAO, ka thënë se ka mbledhur 40 milionë dollarë për të blerë dokumentin, në iniciativën më të madhe të financimit nga një grup njerëzish. rel

Senati konfirmon z. Jeffrey M. Hovenier në postin e ambasadorit amerikan në Kosovë

VOA

Senati amerikan konfirmoi diplomatin Jeffrey Hovenier për të shërbyer në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Z. Hovenier, një diplomat karriere, u emërua në për këtë post në muajin korrik nga presidenti Joe Biden.

Ai ka shërbyer së fundmi si zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuara në Ankara të Turqisë.

Më herët, ai ishte zëvendës shef në detyrë i Misionit dhe ministër këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën amerikane në Berlin.

Zoti Hovenier ka shërbyer gjithashtu në misionet amerikane në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru; në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Zoti Hovenier ka përvojë në Kosovë, pasi ka shërbyer në ekipin e të Dërguarit të Posaçëm të OKB për statusin politik, Martti Ahtisaari.

Në vitin 2018, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e nderoi zotin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, “për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Gjatë ceremonisë për dhënien e medaljes, Presidenti Thaçi e falënderoi diplomatin amerikan “për kontributin në Konferencën e Rambujesë, në procesin e Vjenës dhe në procesin e shtetndërtimit të Kosovës”.

“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, ishte shprehur diplomati Hovenier.

Zoti Hovenier do të zëvendësojë ambasadorin Philip S. Kosnett, i cili u emërua nga ish-Presidenti Donald Trump në korrik të vitit 2018, u konfirmua nga Senati në shtator dhe filloi detyrën si ambasadori i pestë amerikan në Republikën e Kosovës në dhjetor të atij viti.

Në Uashington, diplomati Hovenier, ka shërbyer si Drejtor për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore.

Gjatë seancës dëgjimore për konfirmimin e tij në senat, zoti Hovenier, tha se do të punojë për të çuar përpara mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për një Kosovë sovrane dhe demokratike dhe do të mbështesë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Që të citoj presidentin Biden, kjo duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë. Normalizimi është thelbësor për qëndrueshmërinë dhe sigurinë rajonale dhe do të hapë rrugën për integrimin e të dy vendeve në institucionet euro-atlantike dhe evropiane”, tha ai.

Dhoma e Përfaqësuesve ndëshkon ligjvënësin Gosar

Marrë nga Associated Press

Dhoma e Përfaqësuesve votoi të mërkurën për të ndëshkuar ligjvënësin republikan Paul Gosar të shtetit të Arizonës për postimin e një videoje të animuar që e tregonte atë duke goditur me shpatë ligjvënësen demokrate Alexandria Ocasio-Cortez, një qortim i ashpër që thekson tensionet politike në Uashington dhe mbarë vendin.

Ndërsa e quajtën videon, kërcënim të qartë për jetën e një ligjvënësi, demokratët argumentuan se sjellja e zotit Gosar nuk do të tolerohej në asnjë vend tjetër pune dhe se nuk duhet të ndodhë as në Kongres.

Votimi për të ndëshkuar zotin Gosar dhe përjashtimi i tij nga dy komisione në të cilat shërbente, mori mbështetjen e 223 ligjvënësve dhe u kundërshtua nga 207 të tjerë. Votimi u bë pothuajse përgjatë linjave partiake me vetëm dy republikanë, Liz Cheney e shtetit Uajoming dhe Adam Kinzinger, nga shteti Illinoi, që e mbështetën dënimin.

Disa ditë më parë ligjvënësi Gosar e hoqi videon nga rrjeti Twitter pas kritikave, por ai e postoi përsëri videon në rrjet mbrëmjen e së mërkurës, pak pas votimit.

Ligjvënësi nuk shfaqi emocione kur Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi lexoi rezolutën dhe shpalli ndëshkimin e tij. Ai shtrëngoi duart dhe u përqafua me kolegët republikanë, para se të largohej nga salla.

Udhëheqësi i opozitës republikane, Kevin McCarthy, e quajti ndëshkimin një “abuzim pushteti” nga ana e demokratëve, për të tërhequr vëmendjen nga problemet me të cilat po kalon vendi. Duke folur për masën ai u shpreh se, “një standard i ri do të vazhdojë të zbatohet në të ardhmen”, një sinjal i pasojave të mundshme ndaj demokratëve, nëse republikanët rimarrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve pas zgjedhjeve të vitit 2022.

Nga ana tjetër, demokratët thonë se veprimi nuk kishte prapavija politike.

“Këto veprime kërkojnë reagime. Ligjvënësit nuk mund të bëjnë shaka për vrasjen e njëri-tjetrit. Është rrezikim i të zgjedhurve dhe fyrje ndaj institucionit”, tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi.

Në një fjalim pasionant, demokratja Ocasio-Cortez tha se: “Kur ne nxisim dhunën, qoftë me ilustrime, kundër kolegëve tanë, ky veprim nxit dhunën në vend. Ndaj i duhet vënë kufi”.

Duke mos treguar pendesë gjatë debatit të tensionuar në sallë, zoti Gosar hodhi poshtë akuzat se videoja e animuar ishte e rrezikshme dhe kërcënuese.

“Nuk mbështes dhunën ndaj askujt. Nuk e kam bërë kurrë. Nuk ishte qëllimi im që të mërzisja ndokënd.”

Vendimi për të ndëshkuar ligjvënësin Gosar, një nga dënimet më të rënda nga Dhoma e Përfaqësuesve, është marrë katër herë në afro 40 vjet dhe është shembulli i fundit i tensioneve të thella që kanë përfshirë Kongresin, që nga zgjedhjet e vitit të kaluar dhe veprimet e dhunshme në Kapitol.

Presidenti Biden, takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentët e Meksikës dhe Kanadasë

Patsy Widakuswara

Presidenti Joe Biden pret në Shtëpinë e Bardhë të enjten Kryeministrin e Kanadasë Justin Trudeau dhe Presidentin e Meksikës Andres Lopez Obrador, në kuadrin e samitit të parë të udhëheqësve të Amerikës së Veriut, që nga viti 2006. Njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara.

Samiti i ditës së enjte është takimi i parë trepalësh në pesë vjet mes udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Meksikës.

Zëvendës sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Chris Meagher tha se takimi është kurorëzimi i një pune 10 mujore për rigjallërimin ekonomik dhe bashkëpunimin për të zgjidhur sfidat rajonale dhe globale.

Shtëpia e Bardhë thotë se fokusi do të jetë tek ndryshimet klimatike, një vizion rajonal për emigracionin, konkurencën ekonomike dhe rritjen e qëndrueshme, si dhe bashkëpunimin për t’i dhënë fund pandemisë së COVID-19ës.

Samiti zhvillohet pasi Uashingoni filloi lehtësimin e masave 18-mujore për të lejuar vizitorët plotësisht të vaksinuar nga Kanadaja dhe Meksika.

“Kanadaja dhe Meksika i kanë përjetuar pasojat tek sektorë thelbësorë të ekonomisë prej reagimit fillimisht të pakoordinuar ndaj pandemisë nëpërmjet mbylljes së kufijve. Pra duhet ngritur një plan për sigurinë shëndetësore në Amerikën e Veriut, si dhe se si duhet të bashkëpunojnë ekonomitë për të rritur kapacitetet e zinxhirit rajonal të furnizimit”, thotë Jason Marczak, nga Këshilli i Atlantikut.

Megjithëse është përmirësuar toni i përgjithshëm i marrëdhënieve pas viteve të turbullta nën drejtimin e ish-Presidentit Trump, marrëdhëniet janë tensionuar që nga nënshkrimi në vitin 2020 i Marrëveshjes tregtare SHBA-Meksikë-Kanada.

Grupet e biznesit dhe ligjvënësit kanë ngritur shqetësime për veprimet e Meksikës për të cilat thonë se kërcënojnë eksportet bujqësore amerikane dhe investimet në fushën energjitike.

Ndërkohë, Meksika dhe Kanadaja janë kundër subvencionimeve që Presidenti Biden ka propozuar për makinat që prodhohen nga punëtorë që janë të organizuar në sindikata, siç janë p.sh. punëtorët e një fabrike të kompanisë General Motors që ai vizitoi të mërkurën.

“Nxitja e prodhimit të makinave të pastra (ekologjike) nëpërmjet huave të reja dhe krediteve të reja për taksat. Krijimi i iniciativave për konsumatorët që të blejnë makina të pastra të prodhuara në Amerikë nga punëtorë të organizuar në sindikata”, u tha punonjësve Presidenti Biden.

Presidenti Biden dhe Presidenti meksikan Obrador kanë qëndrime të kundërta për bllokadën ekonomike ndaj Kubës dhe fluksin e emigrantëve drejt kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara.

Gjithashtu, sektori kanadez i energjitikës u zhgënjye nga vendimi i Presidentit Biden për të anulluar naftësjellësin Keystone, duke i dhënë fund kështu një beteje që kishte filluar një dekadë më parë.

“Ekziston sigurisht çështja e naftësjellësit Keystone XL që u anullua nga administrata e Presidentit Biden. Ekziston çështja e zinxhirit të furnizimit që u dëmtua gjatë pandemisë. Apo fakti se Shtetet e Bashkuara ndalën për ca kohë dërgimin e paisjeve mbrojtëse personale drejt Kanadasë, me qëllimin për t’i ruajtur për vete”, thotë Ryan Berg, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Që kur mori detyrën, Presidenti Biden është takuar vetëm virtualisht me Presidentët Obrador dhe Trudeau. Kjo do të jetë hera e parë që do të takohen personalisht.

Ishin dënuar për vrasjen e Malcolm X, iu jepet pafajësia pas 55 vjetësh

VOAL – Dy burra të dënuar për vrasjen e Malcolm X në shkurt 1965 do të shfajësohen pas 55 vitesh. Kështu raportoi sot, të mërkurën, New York Times, duke shpjeguar se shpallja e pafajësisë rrjedh nga 22 muaj hetime se cilët ishin autorët e vërtetë të vdekjes së liderit të të drejtave civile.

Një hije misteri vazhdon të rri pezull mbi vdekjen e Malcolm X, i qëlluar për vdekje gjatë një mitingu publik në Harlem. Shfajësimi pas dekadash i këtyre dy personave, nënvizon gazeta amerikane, përfaqëson në fakt pranimin e gabimeve të rënda që kryhen shpesh në raste të rëndësisë së jashtëzakonshme. sda-eb

SHBA, një e katërta e përdoruesve të Twitter-it prodhojnë 97 për qind të përmbajtjes në rrjetet sociale

New York

Një studim i zhvilluar në SHBA zbuloi se 25 për qind e përdoruesve të Twitter-it në vend prodhojnë pothuajse 97 për qind të përmbajtjes në faqen e rrjeteve sociale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në sondazhin e Qendrës Kërkimore “Pew” thuhet se 97 për qind e tweet-eve të postuara gjatë ditës në SHBA u prodhuan nga vetëm 25 për qind nga rreth 65 milionë përdoruesve të Twitter-it në vend ndërsa 75 përqindëshi tjetër janë përgjegjës për vetëm 3 për qind të tweet-eve.

Në sondazh thuhet se 25 për qind e njerëzve që postojnë më shumë në vend janë të prirur të kenë profil më politik në Twitter se të tjerët.

Një në çdo 5 përdorues aktivë të Twitter-it të anketuar njoftuan se ata hynë në aplikacion shumë herë gjatë ditës.

Sipas hulumtimit, shumica e përdoruesve të Twitter-it në SHBA deklaruan se keqinformimi në postime është një problem madhor, 46 për qind e tyre thanë se ishin më të vetëdijshëm për ngjarjet aktuale falë aplikacionit dhe 30 për qind thanë se ishin më të angazhuar në politikë.

Në studim, 60 për qind e përdoruesve republikanë të Twitter-it dhe 28 për qind e demokratëve thanë se besonin se faqja ishte e keqe për demokracinë.

Rreth gjysma e demokratëve thanë se aplikacioni është i dobishëm për demokracinë ndërsa vetëm 17 për qind e republikanëve u pajtuan me këtë.

New York City rihap sheshin “Times Square” për festimet e Vitit të Ri

Washington

Sheshi “Times Square” i qytetit New York po rihapet për festimet e Vitit të Ri pas një ndërprerje 1-vjeçare për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Personat që do të marrin pjesë do të duhet të posedojnë dëshmi të vaksinimit të plotë kundër virusit COVID-19 dhe identifikim të vlefshëm me foto.

“Ne duam të mirëpresim të gjithë ata qindra njerëz, por të gjithë duhet të vaksinohen. Ne po përmirësohemi. Kemi shumë për të festuar. Do të jetë një moment i madh në ‘Times Square’në natën e Vitit të Ri”, tha krybashkiaku Bill de Blasio në një konferencë për media.

Festimet e Vitit të Ri në “Times Square” ishin të mbyllura për publikun vitin e kaluar. Për shkak të rasteve në rritje me COVID-19, ngjarjet u organizuan në mënyrë virtuale.

Qyteti dikur ishte epiqendra e pandemisë në fillim të shpërthimit të koronavirusit.

Presidenti Biden nënshkroi projekt-ligjin e infrastrukturës prej 1 trilion dollarësh

VOA

Presidenti Biden nënshkroi të hënën buxhetin për përmirësimin e infrastrukturës prej 1 trilion dollarësh, që gëzon mbështetje dy-partiake.

Anëtarë të Kongresit, guvernatorë shtetesh dhe kryebashkiakë, demokratë dhe republikanë, ndoqën ceremoninë e nënshkrimit jashtë Shtëpisë së Bardhë në një pasdite të freskët dhe me diell vjeshte.

Nënshkrimi i presidentit Biden në një nga propozimet e tij kryesore legjislative shënoi një gjë të rrallë në Uashingtonin e përçarë politikisht të; miratimin e nisme madhore nga të dyja partitë. Nëntëmbëdhjetë republikanë iu bashkuan të 50 demokratëve për të miratuar paketën në Senat, ndërsa 13 republikanë e votuan atë në Dhomën e Përfaqësuesve, ndonëse gjashtë demokratë e kundërshtuan atë.

Buxheti parashikon shpenzime të mëdha për rrugët dhe urat në mbarë vendin, që kanë nevojë urgjente për riparim, si dhe për përmirësimin e linjave hekurudhore dhe zgjerimin e transportit publik.

Miliarda dollarë do të përdoren për përmirësimin e internetit veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta dhe për zonat rurale.

Buxheti po ashtu parashikon përmirësimin e rrjetit energjetik të vendit, si dhe të sistemeve të ujësjellësve. Një pjesë e fondeve do të përdoren për ngritjen e pikave për karikimin e makinave elektrike, si dhe për zëvendësimin e autobusëve të transportit për nxënësit e shkollave me autobusë që punojnë me energji elektrike.

Strategjisti gjerman Martin Henze shkruan për Roland Rexhën, një sukses shqiptar në SHBA përkrah Presidentit Biden

Strategjisti gjerman Martin Henze shkruan në Twitter për Roland Rexhën, një sukses shqiptar në SHBA.

“Një ditë e mrekullueshme për industrinë tonë dhe një ditë akoma më e mirë për të ardhmen e ekonomisë sonë. Ky investim në infrastrukturën e vendit tonë do të krijojë më shumë vende pune amerikane dhe do të ndihmojë në zbutjen e disa prej problemeve që kemi parë në të gjithë vendin në lidhje me zinxhirin tonë të furnizimit. “tha Roland Rexha pas takimit me presidentin Biden. Roland Rexha, me prejardhje nga Dibra është djali i dy prindërve, Haxhi Rexhës, i larguar nga Dibra katër dekada më parë dhe Nerimine Sina-Rexha, e cila i përket një familjeje të arratisur nga Shqipëria gjatë diktaturës komuniste. Lindur në Staten Island – Nju Jork. U diplomua në Staten Island College/Shkolla e Inxhinierisë në 1999, u diplomua në Akademinë e Biznesit të SHBA në 2004, Oficer dhe Toger në Marinën e SHBA nga 1999-2017. Sekretar i Thesarit të Sindikatës që nga viti 2007, President i Unionit të Mbrojtjes së Inxhinierëve Detarë (MEBA).

Roland Rexha u takua me Presidentin Biden në Portin e Baltimores javën e kaluar.

Presidenti Joe Biden vizitoi portin e Baltimores të mërkurën dhe bëri thirrje për miratimin e projektligjit të infrastrukturës prej 1.2 trilion dollarësh, që demokratët shpresojnë se do të rindezë administratën e tij dhe do të mbetet i mbërthyer në një Kongres të ndarë. Roland tashmë është një nga shqiptaro-amerikanët në postet më të larta zyrtare në Uashington.

Së fundmi ai iu bashkua stafit të Institutit Kombëtar Demokratik në Uashington, DC. Instituti është i krahasueshëm me Këshillin Ekonomik në Gjermani. Ai është pikërisht një nga ekspertët e infrastrukturës që do të ndihmojë në organizimin e transformimit historik të infrastrukturës së Shteteve të Bashkuara. Roland, po bën një punë të mirë dhe po i tregon botës se shqiptarët kanë një rol parësor në transformimin infrastrukturor të SHBA-së në shekullin 21, si fluturimi në hënë. Shqipëria ka nevojë për bij të tillë të kombit shqiptar për rindërtimin e Shqipërisë. Ne i përulemi Kombit Shqiptar 🇺🇸🇦🇱🇩🇪👌”, e mbyll tweetin e tij Martin Henze.

 

 

Trump shet hotelin e tij në Washington për 375 milionë dollarë

Organizata Trump ka kërkuar blerës që nga viti 2019 për hotelin me 263 dhoma me kontratë qiraje 60-vjeçare

Është arritur një marrëveshje me një kompani investimi me seli në Miami për shitjen e hotelit “Trump International” për 375 milionë dollarë, në pronësi të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në lajmin e BBC thuhet se kompania familjare e Trumpit në Washington DC, Organizata Trump, ra dakord me CGI Merchant Group për shitjen e hotelit.

Në deklaratë thuhet se për shitjen e hotelit është arritur marrëveshje për 375 milionë dollarë dhe se transferimi zyrtar do të bëhet në tremujorin e parë të vitit 2022 ndërsa emri i ri i hotelit do të jetë “Waldorf Astoria” pas shitjes dhe do të menaxhohet nga Hilton Group.

Bëhet e ditur se Organizata Trump ka kërkuar blerës që nga viti 2019 për hotelin me 263 dhoma me kontratë qiraje 60-vjeçare.

Senati i SHBA-së ka hapur një hetim kundër Trumpit për gjoja shkeljen e “nenit përkatës të Kushtetutës që ndalon zyrtarët federalë të marrin dhurata ose pagesa nga qeveritë e tjera duke marrë miliona dollarë pagesa nga qeveritë e huaja për hotelin”.

Në hetim u zbulua se gjatë presidencës së Trumpit, hoteli humbi 70 milionë dollarë dhe mori 3.7 milionë dollarë pagesa nga qeveritë e huaja.

Organizata Trump, nga ana tjetër, e quajti “mashtrues” raportin mbi hetimin.

I vendosur afër Shtëpisë së Bardhë, hoteli u hap në shtator të vitit 2016.

Ndërtesa u ble nga Organizata Trump në vitin 2012. Ajo filloi të funksionojë si hotel pasi Trump u bë kandidati republikan për president.

Sekretari Blinken paralajmëron Rusinë se do të ishte “një gabim i rëndë” pushtimi i Ukrainës

Ministri i Jashtëm i Ukrainës ka marrë pjesë në bisedime strategjike në Uashington me Sekretarin amerikan të Shtetit. Takimi u njoftua ndërsa Ministria ukrainase e Mbrojtjes raportoi se rreth 90 mijë force ruse janë pozicionuar përgjatë kufirit dhe në pjesët e kontrolluara nga rebelët në Ukrainën lindore.

Ukraina festoi 30-vjetorin e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik në fund të gushtit. Ekspertët thonë megjithatë se Rusia ende përbën një kërcënim madhor për sigurinë, me rreth 90 mijë forca ruse të dislokuara për të dytën herë këtë vit në kufirin mes dy vendeve.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine njofton se Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mirëpriti të mërkurën në Departamentin e Shtetit Ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, të cilin e siguroi për mbështetjen e palëkundur amerikane.

“Nuk janë të qarta synimet e Moskës. Por e njohim skenarin e saj dhe jemi të shqetësuar se Rusia mund të përsërisë veprimet e 2014-ës, kur grumbulloi forcat përgjatë kufirit dhe shkeli territorin sovran ukrainas, me pretendime të pabaza se u provokua”, tha Sekretari Blinken.

Ministri Kuleba tha se agresioni rus ndaj Kievit do të përfundojë vetëm nëse Ukraina bëhet anëtare e plotë e organizmave perëndimore. Ukraina dëshiron të anëtarësohet në NATO, gjë që kundërshtohet me forcë nga Moska, e cila kundërshton edhe stërvitjet e përbashkëta ushtarake Ukrainë – NATO, duke i quajtur ato një kërcënim sigurie për Rusinë. Ministri Kuleba i tha shërbimit në gjuhën ukrainase të Zërit të Amerikës se Rusia po e përdor energjinë si armë ndaj Ukrainës dhe Evropës, dhe i bëri thirrje Gjermanisë të veprojë.

“Kriza energjitike që Rusia ka krijuar në tregun e Bashkimit Evropian është nga përdorimi i gazit si armë. Kujtojmë shumë mirë deklaratën e përbashkët SHBA-Gjermani: ‘Nëse Rusia fillon të përdorë energjinë si armë, Gjermania do të ndërmarrë veprime të vendosura’. I jemi mirënjohës Gjermanisë për mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, por çfarë po ndodh në të vërtetë?”, i tha Zërit të Amerikës Ministri Kuleba.

Me luftimet që vazhdojnë mes forcave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore, ky është një moment i rëndësishëm për bisedime sigurie mes Sekretarit Blinken dhe Ministrit Kuleba, i thotë Zërit të Amerikës ish-ambasadori William Taylor.

“Udhëheqësit rusë kanë bërë disa deklarata shqetësuese gjatë muajve të fundit, duke sinjalizuar se nuk e mendojnë Ukrainën si një vend të vërtetë. Dhe kjo është shumë kërcënuese nga ana e rusëve. Është pra një moment i mirë për Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën që të koordinohen, të hartojnë plane dhe të forcojnë marrëdhëniet mes tyre”, thotë ai.

Zoti Taylor i tha Zërit të Amerikës se herën e fundit që Rusia grumbulloi këtë vit forcat pranë kufirit me Ukrainën, Presidenti Joe Biden kundërshtoi me forcë dhe Presidenti rus Putin tërhoqi shumicën e forcave, por jo të gjitha paisjet ushtarake. Presidenti Biden gjithashtu priti në Shtëpinë e Bardhë në shtator Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy duke demonstruar sërish mbështetjen.

Ambasada amerikane në Serbi: Ratko Mladiç nuk duhet të jetë fytyra e Beogradit

VOA

Ambasada amerikane në Serbi, i tha programit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se “Ratko Mlladiç nuk duhet të jetë fytyra që Beogradi i tregon botës”.

Komentet pasuan incidentet dhe arrestimet e veprimtareve serbe që hodhën vezë mbi një mural kushtuar të dënuarit për krime lufte dhe gjenocid, Ratko Mladiç.

Shtetet e Bashkuara dhe Serbia janë të përkushtuara ndaj vlerave thelbësore, përfshirë tolerancën, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Nganjëherë është sfiduese të pajtohesh me momente të vështira të së kaluarës – si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për Serbinë – por nuk ka asgjë të respektueshme në mbrojtjen e memorialit të një krimineli lufte. Shpresojmë që Serbia do të përqendrohet në një të ardhme më të ndritshme, më gjithëpërfshirëse, në vend se të kalojë sërish nëpër dhimbjen, errësirën dhe ndarjet e viteve të 90-ta”, tha një zëdhënës i ambasadës amerikane në një përgjigje me shkrim.

Edhe Bashkimi Evropian i bëri thirrje Serbisë që të përmbahet nga madhërimi i kriminelëve të luftës dhe mohimi i krimeve të luftës, si dhe që të punojë për pajtimin, tha zëdhënësja e BE-së Ana Pisonero e pyetur nga Zëri i Amerikës për zhvillimet e fundit rreth muralit për Ratko Mladiçin.

Një vend që aspiron anëtarësimin në BE pritet të përafrohet me vlerat thelbësore të BE-së – sundimin e ligjit, demokracinë, drejtësinë”, tha zëdhënësja Pisonero në një përgjigje me shkrim.

Të mërkurën, Gjorgjo Vujoviç, nga Partia Socialdemokrate serbe, hodhi gëlqere mbi muralin, një natë pasi policia parandaloi grupet e veprimtarëve për ta hequr atë. Grupet për të drejtat e njeriut thanë se me pengimin e nismës për heqjen e muralit, pushteti u vu në mbrojtje të kriminelëve të luftës.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha të mërkurën se fakti që murali u mbulua me gëlqere, dëshmon se “policia nuk e mbrojti atë”, por shmangu përplasjet, ndërsa akuzoi veprimtarët se me planet e tyre “synuan të dëmtojnë Serbinë”.

Në qershor të këtij viti, Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara vendosën të lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kompjuteri i parë i “Apple” shitet për 400 mijë dollarë

Kompjuteri i rrallë Apple-1 me një shtëpizë prej druri është një nga vetëm 200 që janë prodhuar dhe shitur, shkruan BBC

Kompjuteri origjinal Apple, të cilin themeluesit e kompanisë Steve Jobs dhe Steve Wozniak e bënë në vitin 1976, të martën është shitur në ankand për 400 mijë dollarë amerikanë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kompjuteri i rrallë Apple-1 me një shtëpizë prej druri është një nga vetëm 200 që janë prodhuar dhe shitur, shkruan BBC.

Deri  tani, kompjuteri ka pasur vetëm dy pronarë, një profesor kolegji dhe studentin e tij, të cilëve ua shiti kompjuterin për 650 dollarë. Së bashku me kompjuterin, pronari i ri mori udhëzimet origjinale të përdorimit dhe kasetat.

“Ky është një lloj graali i shenjtë për koleksionistët e pajisjeve elektronike të vjetra dhe teknologjisë kompjuterike”, tha eksperti i Apple-1, Corey Cohen për “Los Angeles Times” përpara një ankandi të mbajtur të martën në qytetin Monrovia të Kalifornisë, afër Los Angelesit.

Refuzohet kërkesa e Trumpit për të bllokuar dokumentet për 6 janarin

RFE/RL

Një gjykatëse federale në Shtetet e Bashkuara vendosi që komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve, që po heton trazirat e 6 janarit në Kongres, mund të ketë qasje në disa nga të dhënat e Shtëpisë së Bardhë të kohës së ish-presidentit Donald Trump.

Trump ka argumentuar se materialet i mbulon privilegji ekzekutiv, i cili mbron konfidencialitetin e disa komunikimeve të Shtëpisë së Bardhë.

Hetimet e komitetit po përpiqen të zbulojnë nëse Trump ka pasur njohuri paraprake për trazirat.

Më 6 janar, qindra mbështetës të tij kanë sulmuar ndërtesën e Kongresit, në përpjekje për të penguar certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të nëntorit 2020, në të cilat kandidati demokrat, Joe Biden, ka dalë fitues.

Trazirat kanë lënë pesë persona të vdekur, përfshirë një zyrtar të policisë.

Kongresi, megjithatë, ka arritur ta certifkojë rezultatin zgjedhor dhe Biden e ka marrë detyrën e presidentit në muajin janar.

Së paku 535 protestues janë arrestuar, por, deri më tani, janë shqiptuar vetëm disa dënime.

Komiteti i Përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve dëshiron të shohë disa të dhëna telefonike, regjistra të vizitorëve dhe dokumente të tjera të Shtëpisë së Bardhë, që mund të hedhin dritë mbi ngjarjet e asaj dite.

Trump ka kërkuar vendim gjyqësor për t’i mbajtur sekret dokumentet.

Por gjykatësja Tanya Chutkan konstatoi se Arkivi Kombëtar – agjencia federale që mban të dhënat e Shtëpisë së Bardhë të Trumpit – duhet të përmbushë kërkesën e panelit.

Chutkan tha se kërkesa e Trumpit për urdhër paraprak gjyqësor duket se mbështetet “në nocionin se pushteti i tij ekzekutiv ekziston deri në përjetësi”.

Sipas saj, presidenti Joe Biden ka autoritetin për të hequr privilegjin ekzekutiv mbi dokumentet, pavarësisht pohimeve ndryshe të Trumpit.

“Presidentët nuk janë mbretër dhe paditësi nuk është president”, shtoi gjykatësja në vendimin prej 39 faqesh.

Beteja ligjore ka të ngjarë të përfundojë në Gjykatën Supreme.

Vendimi u mor në ditën kur dhjetë ndihmës të Trumpit u thirrën për të dëshmuar përpara ligjvënësve amerikanë, në lidhje me ngjarjet e 6 janarit.

Përfaqësuesi Bennie Thompson, i cili kryeson komitetin e Dhomës së Përfaqësuesve, tha në një deklaratë pas vendimit se të dhënat nga Shtëpia e Bardhë janë vendimtare për të kuptuar sulmin e 6 janarit.

“Për mendimin tim, nuk mund të ketë një interes më të fuqishëm publik, sesa sigurimi i përgjigjeve për një sulm mbi demokracinë tonë”, tha Thompson.

Në një intervistë për rrjetin televiziv CNN, Thompson tha se Trump nuk duhet të sillet si një “djalosh i llastuar”.

Trump ka sulmuar në mënyrë të vazhdueshme punën e komitetit dhe ka vazhduar të promovojë teori të pabazuara konspirative për mashtrime në zgjedhje, edhe pse fitorja e Bidenit është vërtetuar në të 50 shtetet amerikane.

Në një reagim pas vendimit të gjykatëses, zëdhënësi i Trumpit, Taylor Budowich, tha se “Trump mbetet i përkushtuar për mbrojtjen e Kushtetutës dhe të Zyrës së Presidentit”.

Ai tha se rasti “është i destinuar të vendoset nga gjykatat e apelit”.

Përgatiti: Valona Tela

Joe Biden, një vit i vështirë – Ylli i Presidentit të SHBA nuk shkëlqen më si ditët e zgjedhjeve

Intervistë me analisten e ‘American Enterprise Institute Karlyn Bowman

 

Pikërisht një vit më parë, më 7 nëntor 2020, me ardhjen e rezultateve të Pensilvanisë, Joe Biden pati sigurinë se do të ishte presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, në përfundim të një numërimi të gjatë të votave (numërimi, kujtojmë, kontestuar nga kundërshtari i tij Donald Trump). Më pas Biden mori detyrën më 20 janar 2021. Megjithatë, sot, ylli i presidentit demokrat nuk shkëlqen më siç parashikonin njëqind ditët e para të mandatit të tij. Midis qiramarrësve të Shtëpisë së Bardhë për 40 vitet e fundit, Biden është i dyti i fundit në nivelin e vlerësimit. Më keq se ai vetëm Donald Trump.

“Muaji i tij i mjaltit me amerikanët ishte i shkurtër për shkak të Afganistanit. Vendimi për t’u tërhequr u shpërnda gjerësisht, por menaxhimi i Biden ishte aq i dobët sa hodhi hije mbi aftësinë e tij drejtuese,” shpjegon Karlyn. Bowman, një analiste në ‘American Enterprise Institute.

Asnjëherë që nga Lufta e Dytë Botërore asnjë president nuk ka parë që mbështetja e tij të bjerë kaq shumë. Gjithashtu për shkak të shfaqjes së variantit Delta të koronavirusit; pas verës Biden humbi 14 pikë përqindjeje. “Ne jemi shumë të polarizuar, kështu që është e rëndësishme të theksohet se miratimi i punës së Biden për ata që pretendojnë se janë të pavarur ka shkuar nga mbi 60% në 34%. Kjo është një goditje e madhe në vitin e parë të presidencës”, vë në dukje Karlyn Bowman, një vëzhguese e kujdesshme e politikës amerikane, e cila, ndonëse e njeh simpatinë njerëzore dhe përvojën e madhe të Biden, mbetet shumë e rreptë. “Ai kishte talentin e një senatori, i cili është shumë i ndryshëm nga bindshmëria e një presidenti. Një president ka nevojë për cilësi të tjera dhe nuk e dimë më nëse i ka, ai  duket pak i vjetër…”, thotë analistja.

Për të rënduar mbi gjykimin presidencial, ngërçi në Kongres, ku ndarjet mes përfaqësuesve të partisë përdorin nuk lejojnë që axhenda e Biden të bëhet realitet. “Biden sigurisht që mban përgjegjësi për këto vonesa, ai nuk ka qenë në gjendje të ndërmjetësojë me sukses midis demokratëve më përparimtarë dhe më të moderuar,” thotë Bowman.

Pas planit infrastrukturor, Dhoma dhe Senati do të tentojnë ta miratojnë në fotofinish planin për reformën sociale, por nga pikëpamja zgjedhore mund të mos mjaftojë. “Unë mendoj se indekset e saj do të rriteshin pak, por është e vështirë të bësh një shkelje në opinionin publik. Kur ke humbur besimin, është e vështirë ta rifitosh”, kujton analistja.

Ashtu si Reagan, Clinton dhe Obama, Biden gjithashtu e gjen veten se i duhet të kthejë timon. Dhe ai e di se rruga e vetme është një. Sepse, siç tha vetë Biden: “Ajo që di është se njerëzit duan fakte nga ne”./rsi.ch/eb

 

Presidenti Biden vlerëson si historike paketën 1 trilionë dollarëshe të infrastrukturës

VOA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha të shtunën se paketa historike 1 trilion dollarëshe e infrastrukturës që Kongresi e miratoi të premten, do të krijojë miliona vende pune.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Biden e quajti këtë javë “javën e infrastrukturës”.

Ish-Presidenti Donald Trump kishte shpallur “Javën e Infrastrukturës” në vitin 2018, por nuk arriti të miratonte një projektligj të tillë megjithëse ndërmori disa përpjekje gjatë presidencës së tij.

Zoti Biden tha se do të nënshkruante projektligjin dypartiak “së shpejti” duke e kthyer në ligj në një ceremoni zyrtare me pjesëmarrjen e të gjithë atyre që punuan për të, si demokratë edhe republikanë. Amerikanët do t’i shohin efektet e ligjit në muajt e ardhshëm, tha ai.

Ligji dypartiak i infrastrukturës do të krijojë vende pune në projektet për modernizimin e rrugëve dhe urave, si edhe do të transformojë sistemin e transportit të vendit tha ai.

Votimi 228 me 206 që u krye të premten vonë në Dhomën e Përfaqësuesve është një triumf për demokratët e presidentit Biden, të cilët kishin debatuar për muaj të tërë mbi propozimet ambicioze të shpenzimeve që përbëjnë pjesën më të madhe të programit të tij të brendshëm.

Grenell: Blinken veproi për Berishën si agjent i Sorosit

Ambasadori Richard Grenell ka publikuar një analizë në faqen e Qendrës Amerikane për Ligj dhe Drejtësi, ku thekson se nuk ka asnjë provë ndaj vendimit të DASH për Sali Berishën.

Grenell, që shihet gjerësisht si ministri në hije i DASH i Partisë Republikane, thotë se vendimi ndaj Berishës u mor nga Sekretari Antony Blinken vetëm si hakmarrje e miliarderit të majtë, George Soros.

Më tej Grenell thekson se Blinken po vepron si agjent i Soros në Ballkan.

“Administrata e Biden është kalamendur sërish duke krijuar një tjetër fiasko ndërkombëtare, këtë herë është Sekretari i Shtetit Blinken që kryeson akuzën për ndërhyrje në politikat zgjedhore, duke e përqendruar vëmendjen e tij te ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha. Për ata që nuk e njohin politikën ballkanike, zoti Berisha është një njeri me një të kaluar dinamike, një kundërshtar i vendosur i komunizmit, themelues i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe mik i Amerikës.

Pas një karriere të gjatë për të rikthyer Shqipërinë në dritë pas shtypjes komuniste, zoti Berisha është tërhequr kryesisht nga pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në politikë, duke preferuar të ndihmojë në promovimin e konservatorëve me të njëjtat mendime dhe politika anti-socialiste.

Por Sekretari Blinken tronditi rajonin në maj duke shpallur sanksione udhëtimi, në dukje të pabaza, kundër zotit Berisha dhe familjes së tij të ngushtë, duke i ndaluar hyrjen në SHBA,” shkruan Grenell.

Më tej ai thekson se edhe pse kongresmeni Lee Zeldin ka kërkuar prova për këtë vendim, Blinken nuk ka ofruar asgjë.

“Aktualisht e vetmja provë që dimë ne është kundërshtimi i vendosur i Berishës ndaj ndërhyrjes politike të Soros, të cilin Berisha e ka denoncuar për anashkalim të sundimit të ligjit dhe për ndikim informal në të gjithë rajonin e Ballkanit,” thekson Grenell.

Më tej Grenell shkruan se ai vetë nuk ka parë asnjë provë të tillë, edhe pse ka qenë drejtues i Inteligjencës Kombëtare amerikane. Nëse ka ndonjë të tillë, Grenell thotë se Blinken duhet t’i drejtohet Kongresit.

“Është koha që Kongresi të kërkojë provat për sanksionet shqiptare, që Blinken tha se i kishte. Unë personalisht nuk i kam parë kurrë dhe jam përqendruar në çështjet e Ballkanit si drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare”.

Grenell: Nuk është paraqitur asnjë evidencë kundër Berishës

“Aktualisht e vetmja provë që dimë ne është kundërshtimi i vendosur i Berishës ndaj ndërhyrjes politike të Soros, të cilin Berisha e ka denoncuar për anashkalim të sundimit të ligjit dhe për ndikim informal në të gjithë rajonin e Ballkanit. Vetë zoti Berisha në vitin 2017 u bëri thirrje qeverive të mëdha të hetonin rolin e Soros në politikën rajonale dhe shkoi aq larg sa të inkurajonte të tjerët që ta shpallnin Sorosin ‘non grata’.

Berisha ka përvojë personale me Sorosin që në ditët më të hershme që datojnë 30 vjet më parë. Të dy kishin kërkuar të punonin së bashku për të zhvilluar një shoqëri civile të pavarur; megjithatë në sytë e Berishës, Soros thjesht po krijonte një strehë të sigurt burokratike për mbështetësit e ish-diktaturës komuniste. Vitet themelore të tensionuara të demokracisë shqiptare kanë galvanizuar këndvështrimin e Berishës, i cili ka shkuar aq larg sa të pohojë se ‘George Soros është një armik i ashpër i maskuar i vlerave që ne besojmë dhe ndajmë’,” shkruan Grenell.

“Kongresmeni Lee Zeldin, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Kongresin Amerikan, kohët e fundit u përball me Sekretarin Blinken për sanksionimin e papritur ndaj Berishës. Sekretari Blinken përcolli pak besim kur iu kërkua justifikim, duke thënë “nuk kam asgjë për të ndarë”. Ndërsa Blinken ishte i paqartë në vazhdimësi ndaj Komisionit, duke mos dorëzuar asnjë informacion apo provë,” shkruan Grenell.

“Sekretari Blinken tani do të përballet me një sfidë të re ndaj autoritetit të tij në formën e gjykatave ndërkombëtare. Javën e kaluar, Gjykata Korrektuese e Parisit njoftoi se do të dëgjonte Berishën dhe pretendimin e tij se Blinken ka shpifur ndaj reputacionit të tij duke e shpallur atë person non-grata,” vijon ai.

Grenell: SHBA nuk mund të shpërdorojë ligjin për interesat e Soros

Madje Grenell shton se edhe kur Kongresi Amerikan ka kërkuar prova, sërish ato nuk janë ofruar nga DASH.

Sipas Grenell, Blinken ka vepruar si agjent i miliarderit të majtë, George Soros. Ambasadori thekson se e vetmja provë që dihet është përplasja e vazhdueshme e Sali Berishës me Sorosin. Për Grenell është shqetëues fakti se Soros po dëmton demokracinë jo vetëm në SHBA, por edhe në botë.

Ai thekson se Blinken do përballet me gjykatat ndërkombëtare, pasi një gjykatë në Paris e ka pranuar padinë e bërë nga Sali Berisha. Në fund, Grenell nënvizon se SHBA si shtet ligjor nuk mund të përdorë ligjin për qëllimet politike të Sorosit.

“Sekretari Blinken tani do të përballet me një sfidë të re ndaj autoritetit të tij në formën e gjykatave ndërkombëtare. Javën e kaluar, Gjykata Korrektuese e Parisit njoftoi se do të dëgjonte Berishën dhe pretendimin e tij se Blinken ka shpifur ndaj reputacionit të tij duke e shpallur atë person non-grata.

Dhe Berisha ka të drejtë në këtë pikë. Këto sanksione udhëtimi të SHBA, që Blinken ka përdorur ndaj Berishës, janë zakonisht një lëvizje e rezervuar për disa nga shkelësit më flagrantë të normave ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut- mbështetur mbi prova- duke përfshirë këtu tipa të ngjashëm me oligarkët rusë. Megjithatë Berisha ka qenë mik i SHBA dhe madje është pritur nga të dy presidentët Bush.

Populli amerikan dhe bota duhet të pyesë nëse u është shitur një premtim i rremë nga Administrata Biden. Në fund të fundit, kjo është një administratë që premtoi ‘kthimin në normalitet’.

Shtetet e Bashkuara janë dhe do të jenë gjithmonë një komb i qeverisur nga ligji dhe arsyeja; dhe këto sanksione, në mungesë të provave, shërbejnë vetëm për të minuar besueshmërinë e SHBA-së. Sekretari Blinken duhet të sigurojë provat e tij mbështetëse nëse Kongresi dhe populli amerikan do të kenë ndonjë besim në kompetencat e Biden në skenën botërore. Është koha që Kongresi të kërkojë provat për sanksionet shqiptare, që Blinken tha se i kishte. Unë personalisht nuk i kam parë kurrë dhe jam përqendruar në çështjet e Ballkanit si drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare,” shkruan Grenell.

 

Grenell: Soros donte t’u gjente strehë ish-bllokmenëve, Berisha u përplas që para 30 vitesh

 

“Aktualisht e vetmja provë që dimë ne është kundërshtimi i vendosur i Berishës ndaj ndërhyrjes politike të Soros, të cilin Berisha e ka denoncuar për anashkalim të sundimit të ligjit dhe për ndikim informal në të gjithë rajonin e Ballkanit. Vetë zoti Berisha në vitin 2017 u bëri thirrje qeverive të mëdha të hetonin rolin e Soros në politikën rajonale dhe shkoi aq larg sa të inkurajonte të tjerët që ta shpallnin Sorosin ‘non grata’.

Berisha ka përvojë personale me Sorosin që në ditët më të hershme që datojnë 30 vjet më parë. Të dy kishin kërkuar të punonin së bashku për të zhvilluar një shoqëri civile të pavarur; megjithatë në sytë e Berishës, Soros thjesht po krijonte një strehë të sigurt burokratike për mbështetësit e ish-diktaturës komuniste. Vitet themelore të tensionuara të demokracisë shqiptare kanë galvanizuar këndvështrimin e Berishës, i cili ka shkuar aq larg sa të pohojë se ‘George Soros është një armik i ashpër i maskuar i vlerave që ne besojmë dhe ndajmë’,” shkruan Grenell./Syri.net

 

 

 

SHBA, padi ndaj analistit rus që kontribuoi për dosjen ‘Steele’

Marrë nga Reuters

UASHINGTON – Një juri e madhe ka ngritur akuza ndaj analistit rus që kontribuoi duke ofruar materiale për të ashtuquajturën “Dosja Steele”, ku aludohej për lidhje të mundshme mes zyrtarëve të fushatës elektorale në vitin 2016 të ish-Presidentit Donald Trump dhe Rusisë. Ky zhvillim u njoftua të enjten nga një prokuror i posaçëm që po heton këtë çështje.

Analisti Igor Danchenko përballet me pesë akuza për dhënien e deklaratave të rreme FBI-së në lidhje me burimet për materialin që i kishte dhënë kompanisë britanike që përgatiti dosjen, tha John Durham, prokurori i posaçëm i emëruar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë gjatë administratës së ish-Presidentit Trump.

Gjatë një seance të shkurtër dëgjimore të enjten në Aleksandria, të shtetit amerikan Virxhinia, Gjykatësja Theresa Buchanan urdhëroi lirimin me kusht të zotit Danchenko, kundrejt një garancie prej 100 mijë dollarësh, në pritje të gjykimit, dhe pasi avokati i tij i tha gjykatës se i akuzuari jeton me familjen e tij në Virxhinia.

Avokati i zotit Danchenko sinjalizoi se klienti i tij nuk do të pranojë fajësinë për akuzat, megjithëse nuk u paraqit ndonjë deklaratë zyrtare e tij. Një prokuror tha se nëse do të shpallet fajtor, zoti Danchenko mund të përballet me pesë vite burg për secilën nga akuzat.

Akuza thotë se gjatë periudhës qershor – nëntor 2017, zoti Danchenko bëri deklarata të rreme për burimet e disa informacioneve që i kishte ofruar një kompanie investigative britanike, firmë të cilën ai nuk e identifikoi me emër.

Burimet i konfirmuan agjensisë së lajmeve Reuters se kompania kishte lidhje me ish-zyrtarin e shërbimit britanik të zbulimit, Christopher Steele. Dosja, e cila iu qarkullua FBI-së dhe organeve të mediave përpara zgjedhjeve të nëntorit 2016, paraqiste të dhëna ende të paprovuara se Rusia zotëronte informacion shantazhi për zotin Trump dhe për disa nga këshilltarët e tij republikanë, dhe se Moska po punonte mbrapa skene për mundjen e kundërshtares demokrate Hillary Clinton.

Akuza thotë se zoti Danchenko bëri deklarata false për informacionin që ai tha se e kishte marrë nga një telefonues anonim që pretendonte se Kremlini mund të ishte duke ndihmuar për zgjedhjen e zotit Trump. Akuza thotë se zoti Danchenko e dinte se informacioni nuk ishte i vërtetë. Një avokat i zotit Danchenko nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për të komentuar për këtë çështje.

Dy burime të mirëinformuara rreth aktiviteteve të Prokurorit Durham thanë se ai ka lëshuar fletëthirrje për të kërkuar evidencë nga burime të shumta, ndër ta edhe persona të lidhur me Fusion GPS, kompania investigative me seli në Uashington e cila porositi ngritjen e dosjen.

Zoti Steele është ish-zyrtari i zbulimit britanik që përgatiti dosjen për kompaninë Fusion GPS, që punonte për një firmë ligjore që përfaqësonte Partinë Demokrate dhe fushatën presidenciale të zonjës Clinton për zgjedhjet e vitit 2016. Zoti Steele refuzoi të komentojë nëpërmjet një mesazhi të postës elektronike.

Një nga burimet në dijeni të aktivitetit të Prokurorit Durham tha se kompania Fusion GPS nuk është pjesë e hetimit të tij. Zoti Steele kishte refuzuar më parë të bashkëpunonte me hetuesit e Prokurorit Durham.

Kosova e paftuar në takimin e lartë për demokraci të organizuar nga presidenti Biden

VOA

Presidenti amerikan, Joe Biden, do të jetë mikpritës i takimit të lartë për demokraci më 9 dhe 10 dhjetor, në të cilin janë ftuar mbi 100 shtete të botës, por jo edhe Kosova.

Ndonëse, administrata amerikane ende nuk e ka bërë publike listën e vendeve pjesëmarrëse në takimin që do të zhvillohet virtualisht, të premten portali amerikan “Politico” publikoi listën e 100 shteteve pjesëmarrëse. Në mesin e tyre nuk është Kosova sikurse as Serbia dhe Bosnja, ndërsa të ftuara janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Në mesin e atyre që nuk janë ftuar sipas Politicos, është edhe Hungaria.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë tha se takimi i lartë per demokraci i “është një nga shumë nismat amerikane e përqendruar në çuarjen përpara të demokracisë, luftimit të korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut gjithandej botës. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë”, tha zëdhënësi.

Ai nënvizoi se “sikundër e ka theksuar edhe presidenti Biden në video adresimin e tij të muajit gusht, Kosova ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm gjatë 20 viteve të fundit’ në ndërtimin e një demokracie shumetnike dhe të qëndrueshme. Si partnere e palëkundur e Kosovës, SHBA-ja mbetet e përkushtuar që të punojë me Kosovën në forumet tjera për të çuar përpara dhe fuqizuar demokracinë, për të parandaluar rrëshqitjen demokratike, për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut, dhe për të luftuar korrupsionin, me qëllim që bashkë të dëshmojmë se demokracitë angazhohen për nevojat e qytetarëve të tyre”, tha zëdhënësi i ambasadës amerikane.

Megjithatë, njoftimi se Kosova nuk është ftuar në takim, nxiti reagime të një pjese të opozitës dhe vëzhguesve të pavarur që e vlerësojnë këtë si të dëmshme për Kosovën.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkroi në rrjetet sociale se mungesa e ftesës “duhet të na shqetësojë të gjithëve pa dallim dhe të shërbejë si sinjal alarmi për shkallën e degradimit të raporteve me SHBA-të si rezultat i qeverisjes së Albin Kurtit”.

Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm të udhëheqësve të institucioneve të Kosovës rreth kësaj çështjeje.

Uashington, i jepet lamtumira e fundit ish-sekretarit të Shtetit Colin Powell

VOA

Miq, familjarë dhe ish-kolegë po nderojnë sot Colin L. Powell, ushtarakun dhe diplomatin që gëzon një admirim të gjerë, i cili nga një djalë i Bronksit u bë i pari afrikano-amerikan në krye të Shtabit të Përgjithshëm e më vonë, sekretari i parë afrikano-amerikan i Shtetit.

Sot në Katedralen Kombëtare në Uashington po mbahet funerali për nder të tij ku po merr pjesë edhe Presidenti Joe Biden, si dhe ish-Presidentët Obama dhe Bush.

Gjatë ceremonisë mbajti një fjalim Madeleine Albright, paraardhësja e zotit Powell në detyrën e sekretares së Shtetit.

Megjithëse me vonë do të bëheshin miq të mirë, marrëdhëniet mes zotit Powell dhe zonjës Albright janë përshkuar nga përplasje, sikurse ajo gjatë periudhës që zonja Albright shërbente si ambasadore në Kombet e Bashkuara nën administratën Klinton. Të dy e kanë risjellë në vëmendje atë periudhë, që përkonte me muajt e fundit të zotit Powell në detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Aso kohe zonja Albright shtroi një pyetje që lidhej me ndërhyrjen ushtarake të SHBA-së në Ballkan duke thënë se: pse Shtetet e Bashkuara duhet të kishin një ushtri të shkëlqyer nëse nuk mund ta përdornin për rrethana të tilla?

Në kujtimet e tij duke iu referuar atyre ditëve zoti Powell ka thënë se ishte acaruar aq shumë nga deklarata sa kishte “menduar se do të pësonte një aneurizëm”. (fryrje e aortës, arteries kryesore të zemrës që furnizon me gjak pjesën tjetër të trupit).

Lidhur me këtë çështje pikëpamja e zotit Powell ishte se Shtetet e Bashkuara duhet ta angazhonin ushtrinë e tyre, vetëm kur të kishin një objektiv politik të qartë dhe të arritshëm, një element kyç i asaj që do të njihej më vonë si Doktrina Powell.

Pikërisht këtij momenti iu rikthye zonja Albright në fjalimin e saj gjatë ceremonisë së lamtumirës për zotin Powell, duke theksuar arsyet se pse u bënë miq, pavarësisht dallimeve:

Arsyeja është se nën atë pamje të jashtme plot shkëlqim prej luftëtari e burri shteti, fshihej një nga njerëzit më të butë dhe më të denjë që secili prej nesh mund të ketë takuar ndonjëherë. Ndërsa arrita ta njoh, arrita ta shoh Colin Powell-in si një figurë që tejkalonte cdo dimension për nga virtytet e tij, ndershmëria homeriane, dinjiteti, besnikëria dhe për nga përkushtimi i palëkundur ndaj vlerave ku besonte dhe si një njeri të fjalës. Këto ishin të njëjtat tipare që ai pa u lodhur përpiqej t’i kultivonte tek ushtarët nën komandën e tij, tek diplomatët që drejtonte, kolegët me të cilët punonte, lexuesit e librave të tij, tek të gjithë ata që dyndeshin për të dëgjuar fjalimet e tij, studentët apo tek mijëra të rinj që përfituan nga Aleanca e Premtuar Amerikane, që Alma dhe ai e trumbetonin me forcë“, tha zonja Albright.

Gjithashtu janë parashikuar fjalime nga Richard Armitage, ish-zëvendës sekretar i shtetit gjatë kohës kur zoti Powell mbante detyrën e kryediplomatit të vendit, si dhe djali i zotit Powell, Michael Powell.

Zoti Powell vdiq më 18 tetor në moshën 84-vjeçare nga ndërlikime të shkaktuara nga COVID-19. Familja e tij tha se ai ishte plotësisht i vaksinuar kundër koronavirusit, por zotit Powell kishte një sistemit të dobët imunitar pasi vuante nga mieloma e shumëfishtë, apo kanceri i gjakut një sëmundje për të cilën merrte trajtime.

Historia e ngritjes së zotit Powell si një nga figurat më të shquara të kombit, ka shërbyer si një shembull për shumë njerëz.

Në autobiografinë e tij të titulluar “Udhëtimi im Amerikan”, zoti Powell kujtonte një fëmijëri të epokës së pas depresionit, të jetuar në lagjen e Bronksit në Nju Jorkut, si një nxënës jo i mirë, i shkujdesur dhe pa objektiva.

Ushtria i hyri në gjak gjatë vitit të tij të parë në Kolegjin e Nju Jorkut në vitin 1954. Frymëzuar nga shokët e tij me uniformë ai u regjistrua në Trupat e Trajnimit të Oficerëve Rezervë të shkollës.

Pas kësaj zoti Powell do të vazhdonte të shquhej me karrierën e tij në ushtri.

Edhe pse ishte vetëm 4 vjeç kur Shtetet e Bashkuara hynë në Luftën e Dytë Botërore, ai ruante kujtime të gjalla nga vitet e luftës.

Zoti Powell shërbeu në ushtri për 35 vjet. Ai u emërua në detyrën e togerit të dytë në vitin 1958, më pas shërbeu si drejtues toge, në atë që aso kohe njihej si Gjermania Perëndimore dhe në vitin 1962 shërbeu për një vit në Vietnam si këshilltar i një batalioni këmbësorie, periudhë gjatë së cilës u plagos. Zoti Powell do të shërbente sërisht në Vietnam në vitin 1968 dhe më pas ai mbajti një sërë detyrash si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Në fund të viteve 1970 ai punoi në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes dhe në vitin 1983 shërbeu si gjeneral brigade duke u bërë ndihmësi i lartë ushtarak i Sekretarit të Mbrojtjes Caspar Weinberger. Më vonë ai shërbeu në Shtëpinë e Bardhë si këshilltar për sigurinë kombëtare i Presidentit Ronald Reagan dhe në vitin 1989 u ngrit në detyrën e një gjenerali me katër yje. Më vonë, po atë vit, Presidenti George H.W. Bush e emëroi në detyrën e Shefit të Përgjithshëm të Shtabit.

Ai ishte aq i preferuar nga presidentët saqë u nderua dy herë me Medaljen Presidenciale të Lirisë“, tha ish-Presidenti George W. Bush në një koment pas publikimit të njoftimit për vdekjen e zotit Powell.

Gjatë karrierës së tij ai u vlerësua lart e fitoi besim ndërkombëtar, besim që u vu në rrezik në shkurtin e vitit 2003, kur gjatë një fjalimi në Kombeve të Bashkuara, në cilësinë e sekretarit të Shtetit, ai parashtroi kërkesën për të nisur luftën në Irak. Pas daljes së lajmeve se informacionet e zbulimit që ai përmendi ishin të gabuara e ndërsa lufta në Irak u shndërrua në një makth të përgjakshëm dhe kaotik, reputacioni i zotit Powell u dëmtua, por megjithatë nuk u shkatërrua.

Pas largimit nga qeveria, ai u shndërrrua në një figurë qendrore në skenën globale. Ai themeloi një organizate e cila synonte të ndihmonte të rinjtë e varfër amerikanë e pa mundësi kryesisht financiare. Republikanët donin që ai të kandidonte për president. Por i zhgënjyer me partinë e tij, zoti Powell dha mbështetjen e tij për tre kandidatët më të fundit për president që i takojnë partisë demokrate, të cilët mirëpritën mbështetjen e tij.

Ndikimi i zotit Powell u ndje në nivelet më të larta të struktuave amerikane të mbrojtjes edhe për shumë kohë pas tërhoqjes së tij nga jeta publike. Lloyd Austin, i cili në janar u bë sekretari i parë afrikano-amerikan i Mbrojtjes, e quajti zotin Powell një mik dhe këshilltar të tij. Ashtu si zoti Powell, zoti Austin u ngjit në strukturat e ushtrisë duke u bërë një gjeneral me katër yje.

Në ditën e vdekjes së zotit Powell, zoti Austin e quajti atë “një nga udhëheqësit më të mëdhenj që ka njohur vendi”.

Zoti Powell ishte mes atyre figuarave të shquara të vendit në fushën e sigurisë kombëtare që humbën jetën këtë vit, mes tyre George Shultz, i cili ka shërbyer në kabinetin e Presidentit Ronald Reagan dhe ishte sekretar Shteti nën Presidentin George H.W. Bush; si dhe Donald H. Rumsfeld, i cili ka shërbyer dy herë si sekretar i Mbrojtjes. Vetëm disa javë para vdekjes së zotit Powell, një ish-komandant i forcave amerikane në Irak, gjenerali i ushtrisë Raymond Odierno, vdiq nga sëmundja e kancerit.

Intervistë e Gjeneralit Wesley Clark më tepër se 22 vjet pas ndërhyrjes të NATO-s në Serbi

Intervistë e Gjeneralit Wesley Clark pas më tepër se 22 vjet pas ndërhyrjes të NATO-s në Serbi.

Ju lutemi të klikoni në Watch on You Tube të ndiqni intervistën.

 

Katër kompani teknologjike të huaja në listën e zezë të qeverisë amerikane

VOA

Qeveria amerikane ka shtuar katër kompani të huaja teknologjike në listën e kompanive që thotë se kishin “zhvilluar dhe kishin pajisur me programe kompjuterike spiunazhi qeveritë e huaja” dhe se ato “u përdorën për të vënë në shënjestër në mënyrë keqdashëse zyrtarë qeveritarë, gazetarë, biznesmenë, aktivistë, akademikë dhe punonjës të ambasadave.”

Departamenti i Shtetit akuzoi kompanitë për “përfshirje në aktivitete që bien ndesh me sigurinë kombëtare ose interesat e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara”.

Kompanitë janë NSO Group dhe Candiru të Izraelit, Positive Technologies të Rusisë dhe Iniciativa për Sigurinë Kompjuterike të Singaporit PTE. LTD.

Këto kompani tani do të përballen me kufizime të rënda në eksportimin e produkteve të tyre në SHBA dhe do ta bëjë të vështirë për firmat amerikane të sigurisë kibernetike t’u shesin atyre informacione që mund të jenë të dobishme në zhvillimin e produkteve të tyre.

“Kjo përpjekje ka për qëllim përmirësimin e sigurisë dixhitale të qytetarëve, luftimin e kërcënimeve kibernetike dhe zbutjen e mbikëqyrjes së paligjshme”, tha Departamenti i Shtetit.

Sipas agjencisë Reuters, si kompania NSO Group ashtu edhe Candiru janë akuzuar për shitjen e produkteve të tyre tek regjimet autoritare. NSO tha se ndërmerr veprime për të parandaluar abuzimin e produkteve të saj.

Kompania Positive Technologies ka qenë në pikëpyetje më parë, pasi ishte sanksionuar nga administrata Biden sepse ka ofruar ndihmë për forcat ruse të sigurisë. Kompania tha se nuk ka bërë asgjë të keqe.

Asnjë nga kompanitë nuk komentoi për përfshirjen e tyre në listën e zezë.

Një republikan fiton garën për guvernator të Virxhinias

Republikani Glenn Youngkin zgjidhet guvernator i ardhshëm i Virxhinias në Shtetet e Bashkuara. Ai është 2.7 pikë përpara demokratit Terry McAuliffe, me më shumë se 95% të votave të numëruara.

Votimi është parë gjerësisht si një referendum për presidencën e Joe Biden dhe humbja do të nervozojë demokratët. Në zgjedhjet presidenciale një vit më parë Biden fitoi lehtësisht në Virxhinia.

Në një fjalim për përkrahësit, Youngkin e quajti fitoren e tij një “moment përcaktues”.

Zgjedhjet ishin testi i parë i madh i ndjenjës së votuesve amerikanë para mbajtjes së zgjedhjeve të mesmandatit vitin e ardhshëm për Kongres.

Në një tjetër garë kyçe për guvernator, guvernatori demokrat Phil Murphy i Nju Xhersit po përpiqet të fitojë rizgjedhjen kundër kundërshtarit republikan Jack Ciattarelli, i cili udhëhoqi garën pas 78 për qind të votave të numëruara. Por, votat nga disa bastione demokrate ende nuk ishin llogaritur. rel

Escobar: Marrëdhëniet ShBA-Serbi janë të ndërlikuara

“Marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë as të mira e as të këqija, janë të ndërlikuara”, tha Gabriel Escobar, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin. 

Ajo që i ndërlikon këtë marrëdhënie ndoshta sugjerohet më së miri nga çështjet kryesore të hapura që janë shfaqur sërish në marrëdhëniet midis Uashingtonit zyrtar dhe Beogradit, të cilat, së bashku me angazhimin më të fortë të SHBA-së në Balkan, të nisur nën administrimin e Presidentit të ri Joe Biden.

Bashkëbiseduesit e Euronews Serbia, të cilët folën për marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, theksuan katër çështje të hapura, të cilat janë kryesisht të ndërthurura – çështjen e lidhjes së SHBA-së dhe BE-së në veprim në rajon, të cilën vetë Escobar e theksoi qartë, duke thënë se Serbia ka mbështetjen e SHBA-ve, përderisa është në rrugën evropiane, çështjen e Kosovës dhe marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën që dalin prej saj, dhe në fund, zgjidhja e çështjes së vëllezërve të vrarë Bytyçi, si pikë dypalëshe. për të cilën Shtetet e Bashkuara kanë këmbëngulur për një kohë të gjatë.

Dy gjëra ishin vendimtare për të interpretuar se roli i Amerikës në Ballkan ishte bërë më aktiv. Njëra i referohet faktit se ndryshimi i administratës në Uashington ka çuar në një lloj riorganizimi diplomatik që në fund të fundit nënkupton emërimin e Christopher Hill si ambasador të ri në Beograd dhe tjetri përshkallëzimin e krizës njëmbëdhjetëditore në veri të Kosovës, kur kalimet administrative u bllokuan për shkak të mosmarrëveshjes për targat.

Pikërisht në atë krizë erdhi në fokus bashkëpunimi mes SHBA-së dhe BE-së. Ndërmjetësi kryesor i marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, që i dha fund krizës, si më parë, ishte Bashkimi Evropian, por vetë Escobar mori pjesë në negociatat në Bruksel, pikërisht në fazën përfundimtare.

Aleanca BE-SHBA u “vulos” më pas në një deklaratë zyrtare pas një takimi midis Sekretarit të Shtetit të SHBA Anthony Blinken dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell, duke vënë në dukje se SHBA dhe BE kanë rënë dakord të forcojnë më tej angazhimin e përbashkët në Ballkanin Perëndimor në mbështetjen e rajonit në rrugën e tij evropiane.

Mesazhi përfundimtar erdhi nga Escobar, i cili në një intervistë për Aljazeera Balkan ku në pyetjen nëse presidenti serb Aleksandar Vuçiç kishte mbështetjen e Uashingtonit, u përgjigj: “Ai ka mbështetjen e Uashingtonit përderisa Serbia vazhdon në rrugën evropiane, kjo është e Serbisë. synimi i deklaruar dhe partneriteti ynë si me Serbinë ashtu edhe me të gjitha vendet e rajonit. Ky është qëllimi ynë.”

Çështja e Kosovës

Çështja e Kosovës është një nga çështjet kyçe në marrëdhëniet e Serbisë si me Shtetet e Bashkuara ashtu edhe me BE-në. Uashingtoni është partneri më i rëndësishëm ndërkombëtar i Kosovës kur bëhet fjalë për pavarësinë dhe është administrata amerikane ajo që ka ndikimin më të madh në vendimet e Kosovës, veçanërisht në kohë krize.

Prandaj nuk është për t’u habitur që ishte i dukshëm angazhimi më intensiv i SHBA-së në zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës, por edhe lëvizjet e administratës amerikane që tregojnë angazhimin e tyre më të drejtpërdrejtë në negociatat mes dy palëve në Bruksel. Në këtë këndvështrim, po shqyrtohet edhe mundësia që Shtetet e Bashkuara të emërojnë të dërguarin e tyre special për dialogun.

Përkatësisht, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja njoftuan më 20 tetor se ishin pajtuar që të forcojnë më tej angazhimin e tyre të përbashkët në Ballkanin Perëndimor në mbështetje të përparimit të rajonit në rrugën e tij evropiane.

Uashingtoni dhe Brukseli kanë vënë theks të veçantë në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe tensioneve në veri të Kosovës që ndodhën gjatë shtatorit dhe tetorit. Të dyja palët theksuan rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE, duke thënë se ai ishte “një mekanizëm kyç për zgjidhjen e normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”.

Vetë Escobar tha më herët se Shtetet e Bashkuara do të përdorin çdo mundësi për të “ndihmuar dhe mbështetur përpjekjet e BE-së për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”, duke përfshirë bashkëpunimin midis tij dhe Lajcak në bisedimet me liderët dhe palët në dialog.

Qyteti New York vendos 9 mijë punonjës të pavaksinuar në pushim pa pagesë

Kryebashkiaku i qytetit New York, Bill de Blasio, tha se kjo shifër paraqet më pak se 6 për qind të fuqisë punëtore të bashkisë të qytetit New York

 

Qyteti New York ka vendosur rreth 9 mijë punonjës në pushim pa pagesë pasi ata refuzuan të respektojnë urdhrin e qytetit për t’u vaksinuar kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryebashkiaku i qytetit New York, Bill de Blasio, tha se kjo shifër paraqet më pak se 6 për qind të fuqisë punëtore të bashkisë të qytetit New York.

De Blasio po ashtu njoftoi se rreth 12 mijë punonjës të tjerë të pa vaksinuar kanë aplikuar për përjashtim mjekësor dhe pritet të marrin vendimin përfundimtar në ditët e ardhshme. Ata mund të qëndrojnë në punë derisa të vlerësohen rastet e tyre.

“Kushdo që nuk e ka bërë deri më tani, ka ende një mundësi për ta rregulluar atë. Vaksinohuni, kthehuni në punë, sepse ne kemi nevojë që të gjithë të bëjnë punën e tyre dhe ne kemi nevojë që të gjithë të jenë të sigurt”, tha de Blasio.

Një pakicë e vogël e fuqisë punëtore e qytetit New York zëshëm ka kundërshtuar urdhrin për t’u vaksinuar dhe sindikata që përfaqëson zjarrfikësit e qytetit ngriti alarmin se mund të rrezikohet siguria publike në qytetin më të madh të SHBA-së.

Megjithatë, de Blasio tha se nuk ka pasur asnjë shtëpi zjarrfikëse që është mbyllur dhe koha e përgjigjes mbetet “normale” për zjarrfikësit dhe policinë.

Por ai paralajmëroi se një numër jashtëzakonisht i lartë i punonjësve “pretendojnë se janë të sëmurë dhe nuk janë”, gjë që kërcënon veprime të mundshme ligjore.

“Nuk është e pranueshme. Gjëja që duhet bërë është të vini në punë, të mbroni njerëzit siç jeni betuar për ta bërë. Dhe shikoni, kjo është diçka që ne nuk e tolerojmë. Në fund të fundit, kur njerëzit bëjnë këtë lloj gjëje, ka pasoja”, tha de Blasio.

Biden: Ndryshimet klimatike tashmë po e shkatërrojnë botën

RFE/RL

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se samiti për klimën që po mbahet në Glasgou të Skocisë duhet të jetë “fillimi” i një dekade të ambicieve drejt trajtimit të ndryshimeve klimatike.

“Askush prej nesh nuk mund t’i shpëtojë më të keqes nëse nuk arrijmë ta shfrytëzojmë këtë moment”, tha Biden duke iu drejtuar pjesëmarrëve në samit.

Shtetet e Bashkuara janë ende duke u përpjekur që disa nga ndotësit më të mëdhenj në botë – Kina, Rusia dhe India – t’i bashkohen SHBA-së dhe aleatëve të saj në planet për të djegur shumë më pak qymyr, gaz dhe naftë dhe për të bërë hapa drejt përdorimit të energjisë më të pastër.

Biden tha se përgjigja masive e nevojshme për të ndaluar krizën klimatike duhet të shihet si një mundësi për ekonomitë e botës.

“Ne kemi aftësinë të investojmë në veten tonë dhe të ndërtojmë një të ardhme të barabartë, me energji të pastër dhe në këtë proces të krijojmë miliona vende pune”, tha Biden.

“Ne jemi në një pikë kthese në historinë botërore”, tha Biden, duke përshkruar përhapjen e zjarreve, thatësirave dhe fatkeqësive të tjera të lidhura me klimën.

“Ndryshimet klimatike tashmë po shkatërrojnë botën”, tha presidenti amerikan, duke shtuar se çdo ditë që vendet nuk veprojnë atëherë kostoja rritet.

Duke marrë parasysh modelet e procedurave sikurse në Samitin e Parisit për Klimën më 2015, shpresohet se në takimin në Skoci, liderët do të pajtohen për një marrëveshje të re për klimën dhe më pas zyrtarët tjerë të hartojnë detajet, para përfundimit të samitit më 12 nëntor.

Më shumë se 20,000 delegatë janë akredituar për këtë samit.

Në këtë organizim është vërejtur mungesa e liderit të Kinës, Xi Jinping dhe atij rus, Vladimir Putin.

Biden: E pahijshme sjellja e SHBA me paktin Aukus

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se sjellja e Uashingtonit ka qenë “e pahijshme” kur ka bërë marrëveshje për një pakt të ri të sigurisë, që i ka kushtuar Francës miliarda dollarë.

Biden i ka bërë komentet të premten, në një takim me homologun francez, Emmanuel Macron.

Ka qenë ky takimi i parë i tyre prejse Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Australia kanë rënë dakord muajin e kaluar për paktin Aukus.

Me këtë pakt, Kanbera ka anuluar një marrëveshje prej 37 miliardë dollarësh me Parisin, për të ndërtuar një flotë nëndetësesh konvencionale.

Në vend të saj, ajo do të ndërtojë së paku tetë nëndetëse me energji bërthamore, me teknologji të SHBA-së dhe Britanisë.

Vendimi e ka zemëruar Parisin, i cili e ka cilësuar paktin Aukus si “goditje në shpinë”.

“Ajo që kemi bërë, ka qenë e pahijshme”, ka thënë Biden gjatë takimit që është zhvilluar në Ambasadën e Francës në Vatikan.

“Kam pasur përshtypjen se Franca ka qenë e informuar shumë kohë më parë se marrëveshja nuk do të realizohet”, ka thënë Biden.

Macron ka thënë se është e rëndësishme “të shikohet kah e ardhmja”.

Takimi ka qenë pjesë e një serie bisedimesh midis presidentit të SHBA-së dhe liderëve botërorë, përpara samitit të ekonomive kryesore në botë, të njohura si G20, që do të mbahet këtë fundjavë në Romë.

Escobar: Njohja reciproke do të ishte ideale për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Krenare Cubolli

Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të enjten se administata e presidentit amerikan, Joe Biden ka dyfishuar përkushtimin amerikan për të punuar me aleatë dhe partnerë që Ballkani Perëndimor të avancojë në rrugën evropiane.

Në një dëshmi para Nën-Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropë, Energji dhe Ambient, ai ka thënë se autoritetet amerikane janë duke punuar me partnerë të Bashkimit Evropian për të përforcuar mesazhin se anëtarësimi mbetet mundësi brenda afateve realiste kohore, më pas shtysë për kryerjen e reformave, si dhe për forcim të rezistencës ndaj ndikimit rus dhe kinez në prag të Evropës.

“Mesazhi më i fuqishëm që mund të japë tani BE-ja është që të caktojë nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, para fundit të këtij viti”, ka thënë deklaruar Escobar.

Sipas tij, vonesat në këtë drejtim mund të nxisin dyshime dhe rrezikojnë të shkatërrojnë shpresat e një brezi të ri për të ardhmen evropiane.

Për këtë arsye, ai ka thënë se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kanë dalë me komunikatë të përbashkët, më herët gjatë këtij muaji, për të theksuar se anëtarësimi në bllokun evropian është rruga e vetme përpara për rajonin.

Gjatë dëshmisë së tij ai ka përmendur edhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Escobar ka thënë se për këtë arsye ka udhëtuar në Bruksel muajin e kaluar për të përkrahur përpjekjet e Përfaqësuesit Special të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, që të shtyjë të dyja palët për të shtensionuar situatën për shkak të targave të makinave dhe për të gjetur zgjidhje.

Escobar i është referuar marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 30 shtator, sipas së cilës, makinat e regjistruara në Kosovë dhe në Serbi duhet të vendosin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targat e makinave kur të kalojnë në territorin e njëra-tjetrës.

“Së bashku e kemi bërë të qartë se dialogu është forum në të cilin të dyja palët, si të barabarta, duhet të punojnë për të zgjidhur dallimet e tyre dhe për të normalizuar marrëdhëniet, në mënyrë ideale përmes një njohjeje reciproke”.

Infografikë

Marrëveshja për targat mes Kosovës dhe Serbisë

“Partneriteti i SHBA-së është me njerëzit e Malit të Zi”

Kur ka folur për Malin e Zi, Escobar i ka konsideruar të rëndësishme ndryshimet që kanë ndodhur pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në gusht të vitit 2020.

“E kemi bërë të qartë që partneriteti me Malin e Zi është partneritet me popullin dhe institucionet demokratike të këtij shteti, dhe jo me ndonjë parti politike”.

Ai ka thënë mes tjerash se autoritetet amerikane janë të përgatitura për të punuar me të gjithë partnerët malazezë që ndajnë vizionin për Malin e Zi si një shtet sovran, gjithëpërfshirës dhe demokratik, i cili avancon në kryerjen e reformave të nevojshme si vend aspirant i BE-së dhe mbetet aleat i palëkundur i NATO-s.

“Kërcënimet e Dodikut janë të rrezikshme”

Sa i përket Bosnje-Hercegovinës, Escobar ka thënë gjatë dëshmisë së tij se autoritetet amerikane dhe ato evropiane janë duke punuar për të shtyrë përpara reformat që e çojnë këtë vend drejt komunitetit euro-atlatnik.

Sipas tij, kërcënimet e fundit në nivel institucional nga anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik, janë të rrezikshme dhe kërcënojnë dëmtimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe perspektivën evropiane të qytetarëve të këtij shteti.

“Ne jemi duke u angazhuar fuqishëm me aktorët lokalë dhe partnerët tanë për të shmangur çdo lëvizje që kërcënon kthimin e Bosnjës në të kaluarën e trazuar”.

Dodik është anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, i cili kërkon transferimin e të gjitha kompetencave nga shteti në nivel të entitetit.

Ai po ashtu ka thënë se Republika Sërpska do të shkëputet nga Bosnje e Hercegovina nëse këto kompetenca nuk i kthehen entitetit.

Transferimi i kompetencave nga shteti i Bosnjës tek entitetet nuk është në përputhje me Kushtetutën e Bosnjës.

“Moska dhe Pekini kundërshtojnë rrugën e rajonit drejt Perëndimit”

Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 2.4 miliardë dollarë për rajonin e Ballkanit në dekadën e kaluar, ka thënë Escobar.

Sipas tij, Moska dhe Pekini vazhdimisht kundërshtojnë integrimin perëndimor të rajonit përmes dezinformatave dhe duke shfrytëzuar dobësitë e këtyre vendeve.

“Rusia është duke i përdorur si armë furnizimet me energji, për të nxitur korrupsionn dhe për të penguar potencialin e rritjes. Republika Popullore e Kinës është duke punuar po ashtu për të zgjeruar ndikimin përmes infrastrukturës dhe detyrimeve ekonomike. Nuk mund t’i lëmë të kenë sukses”, ka thënë mes tjerash Escobar.

Përfshirja e Ballkanit Perëndimor në programin e sanksioneve

Kongresisti Bill Keating, njëherësh udhëheqës i Nën-Komitetit për Evropë, Energji dhe Ambient, e ka konsideruar rajonin e Ballkanit Perëndimor me rëndësi gjeo-strategjike dhe tejet të rëndësishëm për stabilitetin e Evropës.

Megjithatë, Keating ka thënë se dhe duhet bërë punë në këtë rajon.

Ai ka thënë se mbështet përpjekjet e presidentit Biden për të luftuar korrupsionin në rajon, përmes përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në programin e sanksioneve në qershor të këtij viti, dhe se ata që destabilizojnë rajonin dhe keqpërdorin fondet publike duhet të mbahen përgjegjës.

Më 19 maj 2021, Departamenti amerikan i Shtetit, u ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të gjerë.

Në deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, është thënë se Berisha, në cilësinë e tij zyrtare, në veçanti si kryeministër i Shqipërisë, ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike.

Berisha ka thënë se akuzat e ngritura ndaj tij janë “shpifje publike” dhe ka dorëzuar padi në Gjykatën Korreksionale të Parisit ndaj Sekretarit Blinken.

Biden: SHBA do ta mbrojë Tajvanin nëse sulmohet nga Kina

RFE/RL

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara do t’i dilnin në mbrojtje Tajvanit, nëse ai sulmohet nga Kina.

“Po, jemi zotuar për këtë”, tha Biden në një takim me qytetarë, që u transmetua drejtpërdrejt nga rrjeti televiziv CNN.

Deklarata e tij është në kundërshtim me politikën afatgjate të SHBA-së për ta ndihmuar Tajvanin në ndërtimin e mbrojtjes së tij, por jo për ta ndihmuar atë ushtarakisht në një konflikt të mundshëm.

Deklarata po ashtu vjen më pak se dy muaj pas tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani. SHBA-ja ka qenë 20 vjet e angazhuar ushtarakisht në këtë vend.

Presidenti iu përgjigj një anëtari të audiencës, i cili pyeti nëse Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të vazhdojnë të përballojnë zhvillimin e shpejtë ushtarak të Kinës.

“Mos u shqetësoni nëse ata do të jenë më të fuqishëm. Kina, Rusia dhe pjesa tjetër e botës e dinë që ne kemi ushtrinë më të fuqishme në historinë e botës”, tha Biden.

“Unë dua që Kina ta kuptojë se ne nuk do të tërhiqemi”, tha presidenti, për të shtuar se ai nuk do që të nisë Luftë të re të Ftohtë me Kinën.

Megjithatë, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha më vonë se Biden nuk ka shpallur ndonjë ndryshim të politikës amerikane dhe se nuk ka një ndryshim të tillë.

“Marrëdhënia e mbrojtjes e SHBA-së me Tajvanin udhëhiqet nga Akti i Marrëdhënieve me Tajvanin. Ne do të vazhdojmë përkushtimin tonë sipas Aktit, do të vazhdojmë të mbështesim vetëmbrojtjen e Tajvanit dhe do të vazhdojmë të kundërshtojmë çdo ndryshim të njëanshëm të status quo-së”, tha zëdhënësi.

Tajvani do ta mbrojë veten, tha zëdhënësi i zyrës presidenciale, Xavier Chang, në përgjigje të deklaratës së Bidenit.

Tensionet midis Tajvanit dhe Kinës janë rritur kohëve të fundit, sidomos për shkak të inkursioneve kineze në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit.

Tajvani e konsideron veten shtet sovran, por Kina e sheh atë si provincë të shkëputur. Pekini nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për të arritur bashkimin.

Ministri i Mbrojtjes i Tajvanit, Chiu Kuo-cheng, tha në fillim të këtij muaji se marrëdhëniet midis Tajvanit dhe Kinës janë në nivelin më të keq të tyre në më shumë se 40 vjet. Ai parashikoi se Kina do të jetë në gjendje ta pushtojë Tajvanin deri në vitin 2025.

Kina thotë se Tajvani është çështja më e ndjeshme dhe më e rëndësishme në lidhjet e saj me Shtetet e Bashkuara dhe ka dënuar, siç ka thënë, “bashkëpunimin e fshehtë” midis Uashingtonit dhe Taipeit.

Duke folur për gazetarët këtë javë, ambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara, Zhang Jun, tha se Kina ndjek një “ribashkim paqësor” me Tajvanin, derisa u përgjigjet “përpjekjeve separatiste” të Partisë së tij Demokratike Progresive.

“Ne nuk jemi ngatërrestarë. Përkundrazi, disa vende – SHBA-ja në veçanti – po ndërmarrin veprime të rrezikshme, duke e çuar situatën në Ngushticën e Tajvanit në një drejtim të rrezikshëm”, tha ai.

Biden dhe presidenti i Kinës, Xi Jinping, pritet të mbajnë një takim virtual në fund të vitit.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se besojnë se angazhimi i drejtpërdrejtë me Xinë është mënyra më e mirë për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Përgatiti: Valona Tela

Follow the Truth Social – Ish-presidenti Trump hap kompani të re mediatike dhe platformë sociale

Ish -presidenti amerikan Donald Trump tha të mërkurën se po hap një kompani mediatike me një platformë mediash sociale.

Zoti Trump e bëri njoftimin në një deklaratë për shtyp nëntë muaj pasi Twitter dhe Facebook e ndaluan atë nga platformat e tyre për shkak të nxitjes së kryengritjes ndaj Kapitolit më 6 janar.

Ish-presidenti tha se po krijon Grupin Trump për Media dhe Teknologji dhe aplikacionin “Truth Social” për të rivalizuar kompanitë e mëdha teknologjike që i kanë mohuar atij qasjen tek miliona vetë.

Kompania tha se aplikacioni i saj pritet të prezantohet këtë muaj dhe në fillim të vitit të ardhshëm të hidhet në qarkullim në shkallë vendi. Kompania tha gjithashtu se do të krijojë një shërbim televiziv me abonim me lajme, podkaste dhe programe argëtuese.

“DWA”, një firmë me qendër në Majami, mblodhi 287.5 milionë dollarë në një ofertë publike fillestare më 8 shtator për të financuar kompaninë e re./VOA

Investigimi – Gazetari amerikan: Ish-gruaja e Ramës Delina Fico dërgoi informacionet për Berishën në DASH

 

Gazetari i njohur amerikan, Matt Palumbo ka publikuar një investigim në portalin e konservatorëve amerikane, Bongino, ku zbulon lidhjet e forta të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken me miliarderin kontrovers, George Soros.

Ky investigim zbulon edhe arsyen e vërtetë se përse Sali Berisha u shpall ‘non grata’ nga Blinken. Në shkrim thuhet se nuk ka është ofruar asnjë fakt për këtë vendim, ndërkohë që theksohet se ai është bazuar mbi dizinformacione nga mediat e përkrahura nga Soros.

Por konstatimi bombastik i këtij investigimi është se ‘faktet’ për korrupsionin e Berishës i janë dërguar Departamentit të Shtetit nga ish-bashkëshortja e Edi Ramës dhe bashkëshortja aktuale e ministrit Bledi Çuçi, Delina Dico.

“Përgjegjës për dhënien e fakteve mbi korrupsionin e supozuar të Berishës Departamentit të Shtetit është Instituti i Menaxhimit Lindje-Perëndim – ewmi.org/. Instituti drejtohet nga një grua e quajtur Delina Fico, e cila është Drejtore e Shoqërisë Civile. Instituti i Menaxhimit Lindje-Perëndim është një nga dy grupet e krijuar nga Soros (tjetri është Universiteti i Evropës Qendrore). Fico dikur ka qenë e fejuar me kryeministrin socialist Edi Rama dhe më pas u martua me Bledi Çuçin, një nga aleatët e ngushtë të Ramës,” thuhet në investigim.

“Me sa duket, Blinken nuk mund të flasë në emër të askujt tjetër në Departamentin e Shtetit kur bie fjala për lidhjet e tyre me Soros, madje as në emër të vetë babait të tij. I ati i Antony, Donald Blinken, dhe gruaja e tij Vera financuan Arkivat e Shoqërisë së Hapur Vera & Donald Blinken në Universitetin e Evropës Qendrore (ECU), e cila përmban një koleksion dixhital të dokumenteve historike hungareze.

Në një raport të Soros Foundations Network më 2002, babai i Blinken renditet i treti në listën e Bordit të të Besuarve, pas kryetarit Soros dhe Aryeh Neier. Donald Blinken ka qenë Ambasador i SHBA në Hungari nga 1994 deri më 1998, pikërisht kur Soros po përgatiste terrenin atje, dhe ai e gruaja e tij kishin lidhje të ngushta me qeverinë socialiste”./Syri.net

 

 

 

PM, Edi Rama, Delina Fico dhe Bledi Çuçi, ministri i qeverive të Edi Ramës

“Jam në rrugën e rimëkëmbjes”, pas daljes nga spitali Ish-Presidenti Bill Clinton flet për gjendjen e tij shëndetësore

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Clinton dha një azhurnim të gjendjes së tij shëndetësore të mërkurën, duke thënë në një video të postuar në Twitter se ai është “në rrugën e rimëkëmbjes”.

Në video, Clinton falënderoi dashamirësit e tij dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor për mbështetjen e tyre ndërsa ai ishte shtruar në spital (University of California, Irvine Medical Center for sepsis).

“Jam vërtet i lumtur që jam kthyer në shtëpi. Unë ndihem mirë, duke shijuar këtë mot të bukur vjeshte. Jam në rrugën e rimëkëmbjes, por dua t’i kujtoj të gjithëve atje jashtë që të marrin kohë për të dëgjuar trupin e tyre dhe kujdesuni për veten”, tha Clinton.

“Ne të gjithë kemi punë për të bërë dhe secili prej nesh ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në jetë dhe në të ardhmen e afërt. Unë, për shembull, do të bëj çmos që të jem rreth e rrotull, të vazhdoj të bëj më të mirën që mundem për një kohë shumë më gjatë”, shtoi ai.

Kur u njoftua shtrimi në spital i Clinton javën e kaluar, mjekët e tij Alpesh Amin dhe Lisa Bardack thanë se ai ishte përgjigjur mirë ndaj antibiotikëve.
“Pas dy ditësh trajtimi, numri i rruazave të bardha të gjakut po zvogëlohet dhe ai po i përgjigjet mirë antibiotikëve”, shtuan ata. “Ekipi mjekësor me bazë në Kaliforni ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me ekipin mjekësor të Presidentit në Nju Jork, përfshirë kardiologun e tij. Shpresojmë që ai të kthehet në shtëpi së shpejti”, thanë ata në atë kohë.
Ish-presidenti e la spitalin të dielen, dhe mjeku i tij Amin tha se Clinton, 75 vjeç, do të përfundonte trajtimin e tij të antibiotikëve në shtëpi në Nju Jork.

FBI hyn në vilën e oligarkut rus Oleg Deripaska

Marrë nga Associated Press

UASHINGTON – Agjentët federalë zhvilluan “aktivitet për zbatimin e ligjit” të martën në rezidencën në Uashington të oligarkut rus Oleg Deripaska, një aleat i ngushtë i Presidentit rus Vladimit Putin.

Agjentët zhvilluan “një aktivitet për zbatimin e ligjit të autorizuar nga gjykata”, tha një zëdhënës i FBI-së. Zyrtarë nuk ofruan informacione të mëtejshme për rrethanat e prezencës së tyre, apo ndonjë informacion për hetime të mundshme ku mund të përfshihet zoti Deripaska.

Shtetasi i pasur rus që e ngriti pasurinë nëpërmjet biznesit të aluminit, është një aleat i ngushtë i zotit Putin dhe u përmend disa herë në raportin e prokurorit të posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Oleg Deripaska ecën së bashku me Presidentin Putin pas një takimi ndërkombëtar në vitin 2017

Oleg Deripaska ecën së bashku me Presidentin Putin pas një takimi ndërkombëtar në vitin 2017

Zoti Deripaska mbante lidhje edhe me Paul Manafortin, ish-drejtori i fushatës elektorale të ish-Presidentit Trump, i cili u gjet fajtor për tetë krime financiare në kuadrin e hetimeve të Prokurorit Mueller. Zotit Manafort iu dha më vonë falja nga Presidenti i atëhershëm Trump.

Gjatë administratës së ish-Presidentit Trump, Departamenti i Thesarit kishte hequr gjithashtu sanksionet financiare ndaj tre kompanive të lidhura me zotin Deripaska. Zyrtarët thanë në atë kohë se kishin vepruar kështu pasi aksionet e drejtpërdrejta dhe indirekte të zotit Deripaska në këto kompani ishin zvogëluar deri në pikën që ai nuk kishte më kontroll mbi to. VOA

Ndahet nga jeta Gjenerali Colin Powell

VOAL – Gjenerali Colin Powell, ish -sekretari amerikan i shtetit, vdiq në moshën 84 -vjeçare. Komplikimet që u shfaqën pas kontaktimit të Covid-19 shkaktuan vdekjen e tij, shkruhej të hënën, në faqen e tij në Facebook. Powell ishte sekretar shteti nga 2001 deri në 2005, nën administrimin e George W. Bush.

Powell ishte i pari afrikano -amerikan që mbante postin e shefit të shtabit të ushtrisë amerikane dhe atë të shefit të diplomacisë amerikane. “Ne kemi humbur një burrë, baba, gjysh dhe një amerikan të jashtëzakonshëm,” shkroi familja në Facebook, duke vënë në dukje se ai ishte i vaksinuar plotësisht. rsi-eb

Bill Clinton pritet të dalë nga spitali sot

Washington

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton pritet të dalë sot nga spitali, njoftoi të shtunën zëdhënësi i tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Angel Urena tha se Clinton “ka vazhduar të bëjë përparim të shkëlqyeshëm” gjatë 24 orëve të fundit. Ai u pranua në Qendrën Mjekësore Irvine të Universitetit të Kalifornisë për të marrë trajtim për një infeksion të martën.

“Ai do të qëndrojë gjatë natës në Qendrën Mjekësore UC Irvine për të vazhduar të marrë antibiotikë IV para daljes së pritshme nesër”, tha Urena në një deklaratë.

Zëdhënësi tha se Clinton është në “disponim të mirë” dhe po kalon kohën me familjen e tij, duke takuar miqtë dhe duke parë futboll në kolegj.

Ish-presidenti “mezi pret të kthehet në shtëpi shumë shpejt”, shtoi ai.

“Pas dy ditëve të trajtimit, numri i qelizave të bardha të gjakut po zvogëlohet dhe ai po u përgjigjet mirë antibiotikëve”, thuhej në deklaratën e Dr. Alpesh Amin dhe Dr. Lisa Bardack që u publikua të enjten.

Në Florida një kullë anti-pandemi

VOAL – Do të quhet “Legacy Tower” (“Kulla e Trashëgimisë”), do të ketë 55 kate dhe do të kushtojë rreth 460 milionë franga. Në shtetin e Floridës, puna sapo ka filluar për të ndërtuar një nga ndërtesat e para pandemike në botë. Një kullë e futur në një kompleks ndërtimi të gjerë që do të përfshijë mbi 300 apartamente luksoze, por edhe qindra dhoma hoteli dhe shërbime mjekësore të shpërndara në dhjetë kate.

“Projekti lindi para ardhjes së koronavirusit,” thotë Daniel Kodsi, CEO i Legacy Miami Worldcenter, “por më pas e përshtatëm atë. Përveç shërbimeve mjekësore, kemi shtuar pjesën e hotelit dhe më pas kemi shtuar shumë veçori për të siguruar mirëqenien e banorëve ”.

Kulla do të ketë një sistem të veçantë ventilimi dhe do të përdoren materiale antimikrobike. Sidoqoftë, do të ketë gjithashtu robotë të aftë për të vrarë bakteret dhe shumë pajisje që do të punojnë pa kontakt, për shembull për të thirrur ashensorin dhe për të hapur dyert. rsi-eb

Kongresi amerikan miraton projekt-ligjin për heqjen e kufirit të borxhit deri në fillim të dhjetorit

Washington DC

Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së të martën miratoi projekt-ligjin që do të rrisë përkohësisht kufirin e borxhit me 480 miliardë dollarë deri në fillim të dhjetorit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke shmangur një dështim të mundshëm, legjislacioni u miratua sipas linjave partiake me 219 vota ‘për’ dhe 206 ‘kundër’. Tani projekt ligji shkon tek presidenti Joe Biden, i cili pritet ta nënshkruajë atë.

Javën e kaluar, Senati miratoi një rritje afatshkurtër të kufirit të borxhit federal në një votim 50 ‘për’ dhe 48 ‘kundër’ pas diskutimeve disa javore.

Të dielën, Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen paralajmëroi për një “sasi të madhe” nëse Kongresi nuk arrin të bëjë një marrëveshje tjetër.

“Një dështim për të rritur kufirin e borxhit ndoshta do të shkaktonte një recesion dhe madje mund të rezultonte në një krizë financiare. Do të ishte një katastrofë”, tha Yellen në programin “This Week” të ABC.

Sipas demokratëve, ngritja e kufirit të borxhit është një përgjegjësi dypartiake dhe republikanët duhet ta favorizojnë atë pasi përfshin shpenzimet që burojnë nga administrata e ish-presidentit Donald Trump.

Zëri i Amerikës: Blinken niset për në Francë për të rigjallëruar Aleancën Transatlantike

Nike Ching

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po shkon në Paris, udhëtimi i tij i parë në Francë pas krijimit të një partneriteti të zgjeruar trepalësh të sigurisë mes Australisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara (AUKUS) që rriti tensionet mes aleatëve transatlantikë.

Ekspertët thanë se presin që Sekretari Blinken, i cili ka lidhje të forta personale me Francën, të përdorë udhëtimin e ardhshëm për të përmirësuar marrëdhëniet SHBA-Francë.

Diplomati më i lartë amerikan do të kryesojë takimin e Këshillit Ministror të Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin që është planifikuar të mbahet më 5-6 tetor dhe do të përkujtojë 60 vjetorin e organizatës.

Sekretari Blinken do të ketë një takim dypalësh me Ministrin e Jashtëm Francez Jean-Yves Le Drian në Paris. Franca do të mbajë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian nga 1 janari-30 qershor 2022.

“Sekretari Blinken gjithashtu do të takohet me homologët francezë për të vazhduar diskutimet mbi forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve vitale SHBA-Francë për një sërë çështjesh përfshirë sigurinë në rajonin Indo-Paqësor, krizën klimatike, rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia COVID-19, marrëdhëniet transatlantike, dhe punën me aleatët dhe partnerët tanë për të adresuar sfidat dhe mundësitë globale”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë të premten.

Tensionet mbi marrëveshjen AUKUS

Administrata e Presidentit amerikan Joe Biden njoftoi më 15 shtator një pakt të ri sigurie me Australinë dhe Britaninë e Madhe. Sipas marrëveshjes, Australia do të marrë të paktën tetë nëndetëse me energji bërthamore që do të ndërtohen në vend duke përdorur teknologjinë amerikane. Marrëveshja erdhi pasi Australia u tërhoq nga një marrëveshje e mëparshme me Francën për nëndetëset me naftë, duke zemëruar Parisin.

Franca tërhoqi ambasadorët e saj në SHBA dhe në Australi brenda dy ditëve pas njoftimit. Ministri Le Drian deklaroi se ka një “krizë besimi” tek Shtetet e Bashkuara.

Pas një telefonate mes Presidentit Biden dhe Presidentit Francez Emmanuel Macron më 22 shtator, që synonte të zbuste tensionet mbi marrëveshjen e nëndetëseve, të dy udhëheqësit vendosën të “hapnin një proces konsultimesh të thelluara” për të siguruar “besimin”. Macron gjithashtu vendosi që ambasadori francez Philippe Etienne të kthehej në Uashington javën pasuese.

Të enjten, këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare Jake Sullivan u takua me ambasadorin Etienne në Shtëpinë e Bardhë për të “vazhduar përparimin e agjendës së përbashkët”, përpara takimit të Presidentit Biden me Macronin në Evropë në fund të tetorit. Të dy janë planifikuar të marrin pjesë në samitin e Grupit të 20-shes në Romë.

“Ne duhet të sigurohemi që besimi s’ka ndryshuar,” tha Karen Donfried, ndihmës sekretarja e shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, e sapo konfirmuar në këtë post.

Ndërsa marrëdhënia SHBA-Francë mbetet një marrëdhënie e rëndësishme për të dyja palët, James Goldgeier në Institutin Brookings me qendër në Uashington, tha se administrata Biden “duket se është befasuar pak nga reagimi i zemëruar francez” për marrëveshjen AUKUS.

“Është mirë që dy presidentët po kërkojnë mënyra për të ecur përpara. Nuk ka dyshim se administrata Biden e sheh Indo-Paqësorin si fokusin e saj kryesor. Politika e Shteteve të Bashkuara ndaj rajoneve si Evropa shihet përmes këtij këndvështrimi”, tha për Zërin e Amerikës zoti Goldgeier.

Departamenti i Shtetit tha në një deklaratë se delegacioni amerikan në takimin ministerial të OECD-së përfshin gjithashtu të Dërguarin Special të Presidentit për Klimën John Kerry dhe Përfaqësuesen amerikane të Tregtisë Katherine Tai.

United Airlines do të përjashtojë nga puna afro 600 punonjës që refuzuan të vaksinohen

New York

Linja ajrore amerikane United Airlines njoftoi se ka nisur procedurat për të përjashtuar nga puna 593 punonjës të cilët kanë refuzuar të vaksinohen kundër koronavirusit (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një e-mail nga drejtuesit e kompanisë drejtuar punonjësve thuhet se ky ishte një vendim jashtëzakonisht i vështirë, por që ata duhej të garantonin sigurinë e ekipeve të tyre.

United Airlines, kompania kryesore ajrore në SHBA, e cila e ka bërë të detyrueshme që të gjithë punonjësit e saj në vend të vaksinohen kundër COVID-19, gjithashtu deklaroi se e kanë shtyrë planin për pushime të papaguara nga 2 tetori në 15 tetor për shkak të një padie në vazhdim.

Kompania me mbi 67 mijë punonjës tha se 99 për qind e punonjësve tashmë kanë përfunduar vaksinimin, duke shtuar se personat që do të përjashtohen nga puna përbëjnë 1 për qind.

Në fillim të gushtit, United Airlines vendosi të pushojë punonjësit e pavaksinuar, më së voni deri në pesë javë pasi vaksina mori miratimin e plotë nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA).


Send this to a friend