Shtetet e Bashkuara paralajmëruan 100 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, ndërsa ministrat e jashtëm të NATO-s mblidhen në Bruksel për dy ditë bisedime rreth konfliktit në Ukrainë.
“Bota është e tronditur dhe e tmerruar nga mizoritë e kryera nga forcat ruse në Bucha dhe në të gjithë Ukrainën”, tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, në një deklaratë të martën vonë, duke njoftuar autorizimin e tij për ndihmën ushtarake.
“Forcat e Ukrainës vazhdojnë me guxim të mbrojnë vendin dhe lirinë e tyre, dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët dhe partnerët, qëndrojnë të palëkundura në mbështetje të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Ukrainës”, tha ai.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha se ndihma do të “plotësonte një nevojë urgjente ukrainase për sisteme shtesë ‘Javelin’, të cilat Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës dhe ato janë përdorur në mënyrë efektive”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u tha gazetarëve para takimit se vendet anëtare të aleancës “janë të vendosur të ofrojnë mbështetje të mëtejshme për Ukrainën”, duke përfshirë ndihmën humanitare dhe financiare, përveç pajisjeve ushtarake dhe ndihmës për sigurinë kibernetike.
“Unë pres që gjithashtu të vendosim të bëjmë më shumë për partnerët e tjerë të NATO-s, të cilët janë të cenueshëm ndaj kërcënimeve dhe ndërhyrjeve ruse, duke përfshirë Gjeorgjinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën”, tha sekretari Stoltenberg.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, është planifikuar të mbajë fjalim në takimin e NATO-s të enjten.
Presidenti i Ukrainës kritikoi të martën Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për mosveprimin e tij në ndalimin e luftës së Rusisë kundër vendit të tij dhe bëri thirrje që Moska të përballet me përgjegjësi për krimet që ka kryer atje.
Presidenti Volodymir Zelenskyy foli në Këshillin e Sigurimit vetëm disa ditë pasi trupat ruse u tërhoqën nga Bucha, në periferi të Kievit, ku banorët dhe zyrtarët lokalë raportuan se më shumë se 300 civilë ishin vrarë nga trupat ruse gjatë okupimit të qytetit. Moska ka mohuar çdo përfshirje dhe ka fajësuar “radikalët” ukrainas.
Në Uashington, Shtëpia e Bardhë tha se po bashkërendon sanksione të reja gjithëpërfshirëse me G-7 dhe Bashkimin Evropian, që do të vendosen ndaj Rusisë në përgjigje të mizorive të kryera në Bucha dhe gjetkë në Ukrainë. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, u tha gazetarëve se sanksionet do ta çonin Moskën “më tej në rrugën e izolimit ekonomik, financiar dhe teknologjik”.
“Kjo do të përfshijë një ndalim për të gjitha investimet e reja në Rusi, sanksione të shtuara ndaj institucioneve financiare dhe ndërmarrjeve shtetërore në Rusi dhe sanksione ndaj zyrtarëve të qeverisë ruse dhe anëtarëve të familjeve të tyre”, tha zonja Psaki duke nënvizuar se sanksionet e reja do të shpallen të mërkurën.
Gjenerali më i lartë amerikan thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë mundësinë e më shumë bazave në Evropën Lindore për t’u mbrojtur ndaj agresionit rus. Por kreu i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrirë, Mark Milley tha në Kongresin amerikan se trupat duhet të shërbejnë me rotacion dhe jo të ketë dislokime të përhershme. Gjenerali Milley tha se bazat mund të financohen nga vende të tjera si Polonia dhe vendet baltike që duan më shumë trupa amerikane.
Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se çdo përpjekje për më shumë masa sigurie në Evropën Lindore është një “proces në vazhdim” që ndoshta do të diskutohet në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në qershor.
Gjenerali Milley dhe Sekretari i Mbrojtjes Austin po dëshmonin para Komisionit për Shërbimet e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me projekt-buxhetin për vitin 2023, por seanca u mbizotërua nga lufta ruse kundër Ukrainës dhe përpjekjet e mundshme të Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Ukrainën dhe për të forcuar sigurinë në të gjithë Evropën.
Zoti Milley u pyet për nevojën e dislokimit të forcave në krahun lindor të Evropës, që aleatët e NATO-s shqetësohen se mund të jetë objektivi i ardhshëm i Rusisë.
“Këshilla ime do të ishte krijimi i bazave të përhershme, por jo stacionimi i përhershëm (i forcave), duke i qarkulluar forcat në bazat e përhershme dhe jo duke i dislokuar ato në mënyrë të përhershme”, tha ai.
“Unë besoj se shumë nga aleatët tanë evropianë, veçanërisht ata si vendet baltike, Polonia dhe Rumania dhe të tjerë janë shumë, shumë të gatshëm të krijojnë baza të përhershme. Ata do t’i ndërtojnë, ata do të paguajnë për to”, tha ai.
Zoti Austin shtoi se së fundmi ai u takua dhe bisedoi me udhëheqësit e vendeve baltike, duke vënë në dukje se ata e bënë të qartë se vlerësojnë trupat amerikane atje.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me NATO-n për të vlerësuar se cilat do të jenë nevojat. Ne do të jemi pjesë e kësaj zgjidhjeje”, tha ai.
Pentagoni po vazhdon të rishikojë numrin e trupave në të gjithë Evropën dhe të shqyrtojë nëse do të shtojë më shumë apo do të zhvendosë disa prej atyre që janë tashmë atje.
Gjenerali Milley tha të martën se megjithëse nuk janë marrë ende vendime, ekziston një mundësi për shtimin e trupave amerikane në Evropë dhe kjo nevojë mund të plotësohet nga forcat që shërbejnë me rotacion.
Këto forca dislokohen për periudha më të shkurtra kohore. Forcat e përhershme shpesh vendosen për dy deri në tre vjet.
Gjenerali Milley pranoi gjithashtu se agresioni i Moskës në Ukrainë dhe kërkesat e saj të vazhdueshme që SHBA dhe NATO të pakësojnë trupat dhe armët në vendet evropiane përgjatë kufijve të Rusisë, sinjalizojnë një konflikt të gjatë në rajon që mund të shtrihet përtej Ukrainës.
“Unë mendoj se ky është një konflikt që do të zgjasë. Nuk e di nëse do të zgjasë për dekada, por me vite me siguri,” tha Gjenerali Milley.
“Mendoj se NATO, Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe të gjithë aleatët dhe partnerët që po mbështesin Ukrainën do të jenë të përfshirë për një kohë të konsiderueshme”, tha ai.
Sekretari Austin shtoi se kërkesat e gjera ruse nuk ishin të pranueshme për NATO-n dhe SHBA po shikon mënyra për të ofruar ndihmë dhe trajnim shtesë për vendet, përfshirë aleatët jo anëtarë të NATO-s si Gjeorgjia dhe Finlanda.
Të dy ata thanë se e vetmja mënyrë e mundshme për të frenuar rusët mund të kishte qenë vendosja e trupave amerikane në terren brenda Ukrainës, por ky opsion u hodh poshtë sepse paraqiste rrezikun për një luftë më të gjerë të SHBA-së me Rusinë.
Gjenerali Milley tha se ai nuk ishte i sigurt nëse presidenti rus Vladimir Putin mund të frenohej pasi agresioni ndaj Ukrainës kishte qenë një qëllim afatgjatë për Moskën.
Madeleine Albright i kishte bërë karficat që vinte në veshjet e saj një mjet të veçantë simbolik për të përçuar mesazhet dhe bindjet e saj. Tani koleksioni i bizhuterive të dhuruara nga e Madeleine Albright e cila vdiq muajin e kaluar, do të ndihmojnë për të rrëfyer trashëgiminë e saj diplomatike në një ekspozitë të re që po përgatitet në Muzeun Kombëtar të Diplomacisë Amerikane.
Kuratorja e muzeut Nancy Zinn, thotë se zonja Albright u bë e njohur për përdorimin e karficave të xhaketës gjatë kohës që shërbente si ambasadore amerikane në Kombet e Bashkuara.
“Shumë njerëz e dinë se sa e famshme ishte ajo për koleksionin e saj të karficave dhe përdorimin e tyre për të shprehur gjendjen e saj, për të treguar historinë, për të ndarë përvojat. Dhe gjatë gjithë kohës deri ditën që vdiq, ajo mbante karfica për t’u shprehur këto çështje dhe idetë e saj”.
Ekspozita me rreth 200 karfica është planifikuar sipas temave dhe përfshin imazhe patriotike si flamujt dhe shqiponjat amerikane si dhe shumë simbole të tjera.
Kuratorja thotë se materialet variojnë nga një karficë në formë zemre prej balte e bërë nga vajza e diplomates Albright për Ditën e Shën Valentinit deri te “bizhuteritë ekstravagante, antike dhe të çmuara”.
“Ajo kishte balona. Kishte flutura. Kishte shumë karfica me rreze dielli e të tjera. Për situata të vështira ajo shpesh përdorte karfica simbolike në formë engjëlli ose pëllumbi të paqes”, thotë zonja Zinn.
Pasi 84-vjeçarja vdiq nga kanceri më 23 mars, zonja Zinn thotë se u shtua numri i vizitorëve në internet në faqen elektronike “Read My Pins”.
“Ajo kishte një karrierë shumë të gjatë, të pasur dhe të plotë diplomatike, dhe ne i detyrohemi asaj shumë për këtë. Kështu që shpresoj që bizhuteritë mund të shihen si një lloj pikë fillestare për të mësuar më shumë rreth saj. Për të mësuar më shumë rreth punës që ajo bëri”.
Si sekretare e shtetit, Albright ishte gruaja në pozitën më të lartë në historinë e qeverisë amerikane. Ajo luajti një rol kyç për ta bindur presidentin e atëhershëm Clinton që të shkonte në luftë kundër udhëheqësit jugosllav Slobodan Millosheviç për trajtimin që bënte ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Si ambasadore e OKB-së, ajo mbrojti një politikë të jashtme të fortë amerikane, veçanërisht në rastin e trajtimit të Bosnjës nga Millosheviqi dhe ndërhyrja e NATO-s në Kosovë u quajt përfundimisht “Lufta e Madeleine”.
Kuratoja Zinn thotë se ekspozita e zonjës Albright do të hapet në Muzeun Kombëtar të Diplomacisë Amerikane në vitin 2026 dhe do të paraqesë sende të tjera personale duke përfshirë një komplet çaji që i është dhënë nga Ministri i Jashtëm rus Igor Ivanov.
Në kryeqendrën e qytetit të New Yorkut, në “Time Square”, është falur dje namazi i taravive nga mijëra besimtarë myslimanë.
Besimtarët myslimanë janë mbledhur mbrëmë në qendrën amerikane për kryer lutjet, që gjatë muajit të shenjtë për myslimanët kryhen në mbrëmje.
Në rrjete sociale janë publikuar fotografi e video, ku shihet se numri i pjesëmarrësve aty ka qenë i madh.
Organizatorët i kanë thënë “CBS News” se qëllimi i kësaj ngjarjeje ka qenë që jomyslimanët të kuptojnë më shumë rreth fesë islame, përcjell Gazeta Express.
Dikush ka shkruar në Twitter “a e shihni se myslimanët mund të mblidhen në ditën e parë ta Ramazanit për lutje, sic mblidhen për vitin e ri në Time Square”, duke shtuar se pse paragjykohet ky komunitet.
Megjithatë, para faljes së namazit aty, raporton media lindore, ka pasur shqetësime të shprehura nga besimtarët rreth idesë së faljes në “Time Square”, për shkak të billobordeve të shumtë në këtë shesh.
Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi se do të ndajë 300 milionë dollarë për “mbështetje të sigurisë” për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Ukrainës.
Me këtë shumë të ndarë, ndihma që Uashingtoni i ka ofruar Ukrainës, që prej se Rusia nisi pushtimi në shkurt, ka arritur në 1.6 miliard dollarë.
Në pakon e re të ndihmës përfshihen sisteme raketash që operohen me laser, pajisje për shikim natën, sisteme të komunikimit të sigurt taktik, furnizime mjekësore dhe automjete të blinduara.
“Ky vendim thekson angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës në mbështetje të përpjekjeve të saja heroike për t’iu kundërpërgjigjur luftës që zgjodhi Rusia”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i Pengtagonit, John Kirby.
Më 30 mars, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky, biseduan për ndihmën shtesë për ushtrinë ukrainase.
Në mesin e muajit mars, Kongresi amerikan kishte miratuar një projektligj ku përfshiheshin 13.6 miliardë dollarë ndihmë humanitare dhe ushtarake për Ukrainën dhe për aleatët e NATO-s në Evropën Lindore.
Pas vendimit të Kongresit, presidenti Biden njoftoi për një pako të re të sigurisë për Ukrainën në vlerë prej 1 miliard dollarësh.
Një pjesë e madhe e pajisjeve ushtarake që SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës, është marrë nga furnizimet e ushtrisë amerikane.
Ndërkaq, ndihma e njoftuar nga Pentagoni, në vlerë prej 300 milionë dollarësh, do të realizohet përmes kontratave për pajisje ushtarake me partnerët në industrinë e mbrojtjes.
Në pakon e re të ndihmës janë përfshirë edhe dronë të llojit Switchblade.
Këta dronë, që njihen edhe si “dronë kamikazë”, mund të drejtohen nga një operator për të gjetur objektivin dhe kur ta gjejnë atë, nisen drejt objektivit dhe shpërthejnë sapo të kenë kontakt me të.
Kirby shtoi se SHBA-ja “do të vazhdojë punën me aleatët dhe partnerët tanë për të identifikuar dhe ofruar për ukrainasit aftësi shtesë”.
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Që atëherë, përveç SHBA-së, edhe shtete tjera të NATO-s dhe Bashkimit Evropian i kanë ofruar ndihmë ushtarake Ukrainës që të përballet me agresionin rus.
Eksperti i njohur amerikan Janusz Bugajski në lidhje me situatën aktuale, duke komentuar qendrimin përkrahës të Serbisë ndaj Moskës, shtetit agresor që ka sulmuar sovranitetin shtetëror të Ukrainës me ushtri, zjarr, bombardime, vrasje të civilëve duke detyruar mbi 3 milionë ukrainas më së shumti fëmijë, gra e të moshuar që të largohen nga vendi i tyrë, ka reaguar në Twitter me një tweet si më poshtë:
“Ndërsa Beogradi e përqafon plotësisht Kremlinin, është koha për të hequr dorë nga bisedimet farsë mes Kosovës dhe Serbisë.
Katër anëtarë të NATO-s (Greqia, Sllovakia, Rumania, Spanja) duhet të njohin Kosovën dhe të demonstrojnë se mbështesin NATO-n dhe jo Rusinë në Ballkan.”
Shtëpia e Bardhë ka thënë se ka inteligjencë që presidenti rus, Vladimir Putin ndihet se është mashtruar nga këshilltarët e tij ushtarakë, çka ka rezultuar me tension të vazhdueshëm në mes tij dhe krerëve ushtarakë.
“Ne besojmë se Putin është duke u keqinformuar nga këshilltarët e tij rreth asaj se sa dobët është duke vepruar ushtria ruse dhe si është duke u dëmtuar ekonomia ruse nga sanksionet, sepse këshilltarët e lartë ushtarakë janë shumë të frikësuar për të treguar të vërtetën”, ka thënë drejtorja për komunikime e Shtëpisë së Bardhë, Kate Bedingfield në një prononcim para gazetarëve.
Ajo ka thënë se “është e qartë” që pushtimi rus në Ukrainë ka qenë “gabim strategjik” që do ta lërë atë të dobët në periudhë afatgjatë.
Bedingfield ka thënë po ashtu se Shtetet e Bashkuara “vazhdojnë të shohin të dhëna për sulmet ruse dhe avancim në vendet që Rusia ka thënë se nuk do të luftojë”.
Rusia ka thënë të martën se do të zvogëlojë operacionet ushtarake rreth Kievit dhe Çernihivit dhe do të fokusohet në rajonin lindor Donbas.
Por, zyrtarët lokalë në Çernihiv, kanë thënë se sulmet kanë vazhduar gjatë natës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se ndonëse sinjalet fillestare nga bisedimet për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë – që janë zhvilluar në Stamboll – kanë qenë “pozitive”, ato nuk kanë parandaluar shpërthimet ruse.
Në një adresim në orët e mbrëmjes më 29 mars, Zelensky ka thënë se shteti i tij mund t’iu besojë vetëm rezultateve konkrete të negociatave.
Ai është zotuar se Ukraina nuk do të zvogëlojë “përpjekjet për mbrojtje”, pasi ushtria ruse ka ende kapacitet për të kryer sulme.
Zelensky po ashtu ka bërë thirrje për kujdes ndaj deklatave të Rusisë se është duke zvogëluar operacionet afër Kievit, duke thënë se kjo nuk nënkupton dhënie fund të luftimeve.
“Situata nuk është bërë më e lehtë”, ka thënë ai.
Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë thënë se duhet pasur kujdes ndaj pretendimeve të Rusisë për zvogëlim të sulmeve.
Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë më 29 mars se “do të shohim çfarë do të ndodhë” në terren, ndërsa kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se Rusia do të gjykohet nga veprat dhe jo fjalët.
Një negociator rus ka paralajmëruar se zotimi i Rusisë për shtensionim nuk do të thotë “armëpushim”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
Vendimi për nisjen e fushatës së bombardimeve kundër Serbisë me qëllim të ndaljes së gjenocidit të shtetit serb ndaj popullatës civile në Kosovë ishte një prej momenteve vendimtare për çlirimin e Kosovës. Hartuesi i planit se ku do të binin bombat e lirisë, gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, ka shpjeguar se sa e vështirë ka qenë të merrej vendimi për bombardim në vitin 1999 – vendim të cilin tashmë po e kërkojnë edhe ukrainasit kundër Rusisë.
Intervistoi: Alma Baxhaku
Për tensionimin e situatës në Europë pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, Clark ka thënë se është e qartë që Moska është e interesuar që të destabilizojë edhe Ballkanin, por thotë se shpreson që Kosova të marrë ftesën shpejt për anëtarësim në NATO. Po ashtu, Clark, si një ndër nismëtarët e shtetndërtimit të Kosovës, lavdëron të arriturat e saj, derisa e sheh si një shtet model në rajonin e trazuar ballkanik.
Për Serbinë thotë se mbetet me shpresë që të arrijë të shkëputet nga idetë e vjetra pansllaviste dhe t’i bashkohet modernizmit – larg ideologjisë së shëmtuar të Sllobodan Millosheviqit.
Ushtaraku amerikan thotë se Aleanca Veri-Atlantike duhet të rrisë sigurinë në Europë, pasi një pushtim i mundshëm i Ukrainës nga Rusia do të rrezikonte stabilitetin. Clark thotë se duhet mbështetur Ukraina në çfarëdo forme, derisa potencon se një fushatë e bombardimeve sikur në rastin e Kosovës për momentin nuk është përgjigjja e duhur. Megjithatë, thekson se veprime më të drejtpërdrejta të NATO-s në të ardhmen mund të jenë të nevojshme.
Gazeta Express: Po e shohim tani se sa të vështirë e ka NATO të ndërmarrë veprime për ndaljen e agresionit rus në Ukrainë si ato që ndërmori në vitin 1999 për të ndalë gjenocidin që po ndodhte në Kosovë nga agresioni serb. Sa të vështirë e patët marrjen e vendimit për të filluar kampanjën e bombardimeve kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit?
Wesley Clark : NATO ia kishte bërë të qartë Millosheviqit dhe kishte ndërmarrë veprime për të konfirmuar, se nëse ai rifillonte spastrimin etnik, ai do të përballej me fushatën e bombardimeve. Vendimi për të nisur fushatën [e bombardimeve] ishte marrë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga shefat e qeverive të NATO-s. Unë kam përgatitur koncept-planet dhe jam konsultuar gjatë procesit të vendimmarrjes.
Gazeta Express: Pas gjenocidit që ndodhi në Bosnje, a është dashur t’i besohet Millosheviqit kur ai thoshte se “Kosova është çështje e brendshme” dhe se “nuk do t’i lëndonte njerëzit e tij”? A ka qenë e mundur të parandaloheshin masakrat që ndodhën?
Wesley Clark : Realisht, nuk ishte e mundur përfshirja e Kosovës në Procesin e Paqes së Dejtonit dhe kështu u deshën sulmet e përshkallëzuara serbe në vitin 1998 për të sjellë nevojën që NATO të merret me Kosovën.
Gazeta Express: A kishte vërtet rrezik për nisjen e Luftës së Tretë Botërore pas hyrjes së forcave ruse në Prishtinë në vitin 1999?
Wesley Clark : Jo, nuk kishte një rrezik të tillë. Ai ishte thjesht një shqetësim i ekzagjeruar që e shprehu një gjeneral britanik duke qenë nën stres të madh.
Gazeta Express: Madeleine Albright vdiq një ditë para 23 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s, të cilën ajo e konsideroi si krenarinë më të madhe. Si e mbani mend atë?
Wesley Clark : Sekretarja Albright ishte një lidere e fuqishme, parimore, e cila mbronte lirinë dhe demokracinë – ajo ia dedikoi jetën këtyre parimeve. Ajo besoi se SHBA-ja duhet të udhëhiqte. Ajo mund të ishte e ashpër si përkrahëse për të ndërmarrë veprimet e duhura. Unë isha gjithmonë mirënjohës për njohuritë dhe mbështetjen e saj.
Gazeta Express: Si e shihni Kosovën tani? A ka progres?
Wesley Clark : Kosova ka bërë një progres të jashtëzakonshëm dhe është në rrugën e saj për t’u bërë modele e lirisë dhe demokracisë në rajon. Jam shumë i kënaqur që SHBA-ja ishte në gjendje të ndihmonte popullin e Kosovës në nisjen e këtij udhëtimi. Tani Kosovës i duhen më shumë investime, vazhdimësi të politikave të mençura dhe aftësi për të menaxhuar punët e shtetit për të ndërtuar themelet e sigurisë dhe ekonomisë së saj në një rajon të trazuar.
Gazeta Express: Ka frikë dhe shqetësime në Ballkan që konflikti në Ukrainë mund të përhapet edhe në rajon, sidomos në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. A mendoni se ka rrezik real dhe si duhet të veprojë NATO në këtë rast?
Wesley Clark : Shihet qartë që Rusia është e interesuar në destabilizimin e Ballkanit, por kjo s’ka ndodhur deri më tani. Bashkimi Europian ka përforcuar prezencën në Bosnje dhe z.Dodik është paralajmëruar dhe sanksionuar atje. Serbia po përpiqet në divorcimin e saj nga idetë e vjetra të pansllavizmit dhe imperializmit dhe të kalojë në botën moderne; shpresojmë që kjo mund të ndodhë. NATO është e gatshme të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit në rajon; Shpresoj se Kosova së shpejti do të ftohet për anëtarësim në NATO.
Gazeta Express: Në këtë kontekst, ka ministra dhe zyrtarë serbë që ende nderojnë kriminelin e luftës, Millosheviq. A mendoni që trashëgimia e tij është ende e gjallë?
Wesley Clark : Ka ende grupe radikale në Serbi dhe një nostalgji të zjarrtë për ëndrrat e shëmtuara të frymëzuara nga Millosheviqi. Kjo është për të ardhur keq; Serbia duhet të përballet me Perëndimin për të gjetur të ardhmen e saj të drejtë.
Gazeta Express: 23 vjet pas, sërish një agresion po ndodh ndaj një vendi europian. A mendoni që NATO duhet të ndërhyjë siç bëri në Kosovë?
Wesley Clark: NATO duhet të gjejë mënyra për të forcuar sigurinë në Europë; Një pushtim rus në Ukrainë do ta vendoste në rrezik NATO-n dhe stabilitetin në Europë. Tani për tani, vendet anëtare të NATO-s duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet duke dhënë mbështetje të plotë diplomatike, humanitare dhe ushtarake. Një fushatë ajrore e NATO-s, siç bëmë për Kosovën, nuk është përgjigjja e duhur në këtë pikë, por veprime më të drejtpërdrejta të NATO-s mund të jenë të nevojshme në një moment të ardhshëm./GazetaExpress/
Rusia është duke pësuar humbje “të mëdha” që prej se nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, tha një zyrtare e lartë e Departamentit amerikan të Shtetit, duke shtuar se numri i ushtarëve rusë është mbi 10,000.
“Mendoj se, fatkeqësisht rusët ende nuk e kanë kuptuar plotësisht sesa e fortë është ushtria ukrainase”, tha nënsekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, gjatë një interviste për Current Time.
“Pala ruse po pëson humbje shumë të mëdha – dhe sipas vlerësimeve tona, janë mbi 10,000 rusë të vdekur”, tha Nuland.
Që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, Rusia vetëm dy herë ka dhënë shifra sa i përket ushtarëve që i janë vrarë. Shifrat e prezantuara nga Rusia kanë qenë më të ulëta krahasuar me vlerësimet e paraqitura nga Perëndimi dhe Ukraina.
Më 2 mars, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë kishte thënë se 498 ushtarë ishin vrarë, ndërkaq më 25 mars, raportoi për 1,351 ushtarë të vrarë rusë. Ndërkaq, zyrtarët ukrainas kanë thënë se numri i ushtarëve të vrarë rusë është mbi 17,000.
Shifrat e prezantuara nga Rusia dhe Ukraina janë të pamundura që të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Nuland tha se Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur rundin e bisedimeve Ukrainë-Rusi që u mbaj më 29 mars në Stamboll, por theksoi se pa ndalimin e armiqësive nuk mund të zhvillohet asnjë negociatë serioze.
“Derisa nuk ka një armëpushim të vërtetë, nuk mendoj se do të shohim bisedime serioze”, tha ajo.
Nuland tha se vendimi i Moskës për të ripozicionuar forcat e saj, siç njoftoi më 29 mars zëvendësministri i Mbrojtjes së Rusisë, Aleksandr Fomin, ishte “rezultat i drejtpërdrejtë i rezistencës së fortë që ukrainasit po bëjnë jashtë Kievit dhe në Çernihiv”.
“Megjithatë, ne e dimë se ky është vetëm ripozicionim i forcave ruse dhe ata do të shkojnë në pjesë të tjera të Ukrainës dhe do të vazhdojnë ta bombardojnë Mariupolin e Hersonin dhe pjesë të tjera të vendit”, tha ajo.
“Zgjidhjet diplomatike të konfliktit zakonisht vijnë pas një armëpushimi, jo në mes të luftimeve. Dhe rusët absolutisht nuk kanë qenë të gatshëm të ketë një armëpushim të plotë në mënyrë që negociatat të bëhen serioze”, u shpreh Nuland, duke shtuar se kushdo që negocion për dhënien fund të konfliktit duhet të sigurojë se Ukraina do të jetë në gjendje në të ardhmen të parandalojë përsëritjen e agresionit.
“Prandaj, Ukrainës do t’i duhet një lloj mbështetjeje e sigurisë për arsenalin e saj që iu desh të përdorte në këtë konflikt, nëse i duhet që ta ndalë Rusinë që të tentojë sërish. Prandaj, ne do të vazhdojmë, që së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, të ofrojmë mbështetje të fuqishme të sigurisë për Ukrainën”.
E pyetur nëse Perëndimi do t’i përgjigjet kërkesës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për sisteme të mbrojtjes ajrore nga shtetet që kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik, Nuland tha, pa dhënë detaje, se “e konfirmoj se jemi duke e shqyrtuar këtë gjë dhe veçse kemi ofruar mbështetje të rëndësishme të sistemeve të mbrojtjes ajrore për Ukrainën”.
Ajo po ashtu paralajmëroi se nëse Rusia nuk e ndalon agresionin e saj ndaj Ukrainën rrezikon që të përballet me më shumë sanksione nga Perëndimi.
“Për aq kohë sa lufta vazhdon, ne dhe aleatët e partnerët tanë planifikojmë të rrisim presionin ndaj [presidentit rus, Vladimir] Putin dhe Qeverisë së tij në baza javore dhe do t’ia mohojmë atij paratë që i duhen për makinën e tij të luftës”, tha Nuland.
Arkivi i Voal.ch kujton fushatën 78 ditore të NATO-s, që startoi më 24 Mars 1999 për të ndalur makinerinë kriminale të Milosheviçit, Hitlerit të Ballkanit që e përgjaku gjithë ish-Jugosllavinë.
Vatrani Lek Buçaj, i biri i ish Kryetarit të Vatrës Dr.Gjon Buçaj do të deklaronte për mediat e Kosovës:
DEKLARATA e Lek Buçajt NE RTK-
“E kam ndjerë veten krenar. Kam dashtë të bëja edhe ma tepër, por nuk dija si, si mund të bëja më tepër. Çdo dy ditë ishim nëpër fluturime nja 10-12 orë./
Vatrani Leka Buçaj, i biri i ish Kryetarit të Vatrës Dr.Gjon Buçajt, ishte me një nga ekipet qe fluturuan me aeroplanet e NATO-s në bombardimet e Serbisë/
Nën komandën e Wesley Clark ka qenë edhe Vatrani Leka Buçaj. Ai në një deklaratë dhënë për RTK-në ka rrëfyer pasionin e tij që kishte për te qene pjese e çlirimit te Kosoves.“E kam ndjerë veten krenar. Kam dashtë të bëja edhe ma tepër, por nuk dija si, si mund të bëja më tepër. Çdo dy ditë ishim nëpër fluturime nja 10-12 orë. Atëherë u kthefshim për nja 7-8 orë pushonim, atëherë prapë në ajër. Por, thash, si mund të marr pjesë edhe ma fort….synoja që vetë të bija poshtë dhe t’u ndihmoja diqysh populates”, ka rrëfyer Buçaj.
Më tutje Lek Buçaj sqaron: “Po, asht e vërtetë se kam qenë nen komandën e gjeneralit Wesley Clark dhe kam fluturue mbi Kosovën gjatë bombardimevet, si pjesë e personelit ajror, por nuk kam qenë pilot. Aeroplani në të cilin kam fluturue (jo si pilot), nuk ka lëshue bomba, por ka pasë nji tjeter funksion (Inteligence), edhe ai me shumë randësi per bombardimet, tue qëndrue 12 orë në ajër në ditë. Nuk kam qenë pilot, por pjesë e shërbimit inteligjent”!
Lek Buçaj ka treguar se për të ka qene e papërshkrueshme ndjenja e nisjes në luftë me NATO-n, për ta çliruar Kosovën./voal.ch
Gjatë një fjalimi të rëndësishëm, që i dha fund vizitës së tij dyditore në Poloni, Presidenti amerikan Joe Biden, tha se Presidenti rus Vladimir Putin nuk duhet të qëndrojë më në pushtet dhe se lufta e tij kundër Ukrainës ka qenë një dështim strategjik për Moskën. Komentet zoti Biden i bëri të shtunën para një turme njerëzish të mbledhur në Varshavë.
Presidenti tha se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës kërcënon sigurinë globale dhe se vendet demokratike duhet të përgatiten për një luftë të gjatë kundër autokracisë.
“Perëndimi është tashmë më i fortë dhe më i bashkuar se kurrë“, tha Presidenti Biden para qindra zyrtarëve të zgjedhur polakë, studentëve e personelit të ambasadës amerikane.
Duke e quajtur luftën kundër Vladimir Putinit një “betejë të re për liri”, Presidenti Biden tha se dëshira e Vladimir Putinit për “pushtet absolut” ishte një dështim strategjik për Rusinë dhe një sfidë e drejtpërdrejtë për paqen evropiane që ka mbizotëruar që nga Lufta e Dytë Botërore.
Komentet e Presidentit Biden në Kështjellën Mbretërore të Varshavës erdhën pas një takimi të tij me refugjatët ukrainas që janë strehuar në kryeqytetin polak, ku zoti Biden e cilësoi Presidentin rus Putin “kasap”, duke iu referuar asaj që po ndodh në Ukrainë.
Më herët Presidenti amerikan garantoi Poloninë se Shtetet e Bashkuara do të mbronin çdo pëllëmbë të NATO-s në rast të një sulmi nga Rusia.
Gjatë një takimi me Presidentin polak Andrzej Duda ai tha se Varshava po mbante barrën më të madhe të krizës së refugjatëve të krijuar nga lufta në Ukrainë, një vend fqinj me të.
“Stabiliteti në Evropë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, për sa i përket interesave tona jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën“, tha Presidenti Biden gjatë takimit me homologun e tij polak në prani të delegacioneve respektive.
Zoti Biden tha se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë nenin 5 të Traktatit të NATO-s si një angazhim të shenjtë duke shtuar se uniteti i aleancës ushtarake perëndimore ishte i një rëndësie të madhe. Neni 5, nënvizon një parim unik dhe të qëndrueshëm që lidh anëtarët e aleancës së bashku, duke i angazhuar ata të mbrojnë njëri-tjetrin.
Presidenti amerikan i tha homologut të tij polak se ai e kuptonte që Polonia po merrte përsipër një përgjegjësi të madhe, por kjo sikurse tha ai, duhet të jetë e gjitha përgjegjësi e NATO-s. Presidenti amerikan tha se ishte i bindur se Vladimir Putin po bënte llogari për të përçarë NATO, gjë që nuk ka qenë në gjendje ta bëjë, pasi siç theksoi ai: “Aleanca ka qëndruar e gjitha bashkë”.
Duke i bërë jehonë një prej motoje jozyrtare të Polonisë presidenti amerikan i tha zotit Duda se: “Liria juaj është liria jonë”. Që nga fillimi I luftës më shumë se 3.7 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe mbi 2 milionë prej tyre ndodhen në Poloni.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj më shumë se 400 politikanëve, oligarkëve dhe kompanive ruse për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga ana e Rusisë.
Departamenti amerikan i Thesarit ka thënë më 24 mars se ka zgjeruar listën e të sanksionuarve, duke përfshirë kompani ruse të mbrojtjes, 328 anëtarë të Dumës Shtetërore dhe shefin e institucionit më të madh bankar në Rusi, Sberbank.
“Sot, ky është vendimi i fundit për të vendosur kosto të rëndë ndaj Federatës Ruse për luftën e paligjshme dhe të pabazë kundër Ukrainës”, ka thënë Thesari amerikan.
“Ky vendim është i lidhur me veprime të ngjashme të marra nga Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja dhe reflekton unitetin e vazhdueshëm për të mbajtur (presidentin rus, Vladimir) Putin përgjegjës për luftën”, ka thënë ai.
Në listë përfshihet shefi i Sberbank, Herman Gref, i cili ka qenë njeri i afërt me Putinin prej viteve 1990.
Në deklaratë është thënë se do të ngrihet prona e të gjithë të sanksionuarve në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
Përmbledhje e vizitës së Këshilltares për Sigurinë Kombëtare, Dr. Liz Sherwood-Randall
Gjatë javës së 14 marsit, ndihmësja e presidentit për Sigurinë Kombëtare, Dr. Liz Sherwood-Randall udhëhoqi një delegacion të SHBA-së në Prishtinë, Kosovë. Gjatë vizitës, Dr. Sherwood-Randall u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriun, dhe me kryeministrin Albin Kurti, dhe vizitoi kampin Lija (Liya) dhe kampin Bondsteel.
Dr. Sherwood-Randall theksoi sërish përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe ndaj sigurisë rajonale, siç është demonstruar përmes lidershipit të qëndrueshëm të SHBA-së në misionin e Forcës së Kosovës të NATO-s (KFOR) dhe mbështetjes përmbajtësore për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) përderisa ajo vazhdon zbatimin e planit të saj dhjetëvjeçar të tranzicionit. Dr. Sherwood-Randall shprehu falënderime të thella presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti për përkrahjen në vazhdim të Kosovës për strehimin e përkohshëm të afganëve të cenueshëm në kampin Liya, gjersa ata kalojnë në shtëpitë e tyre të ardhshme, për partneritetin e Kosovës në kundërshtimin e terrorizmit, dhe për aktet e solidaritetit të Kosovës me popullin e Ukrainës./www.whitehouse.gov/19 Mars 2022
Pentagoni akuzoi të hënën forcat ruse për kryerje të krimeve të luftës në Ukrainë.
“Ne sigurisht po shohim prova të qarta se forcat ruse po kryejnë krime lufte dhe ne po ndihmojmë në mbledhjen e provave për këtë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, në përgjigje të një pyetjeje të Zërit të Amerikës.
Zoti Kirby akuzoi gjithashtu forcat ruse për kryerjen e “sulmeve pa dallim ndaj civilëve” që ishin “të qëllimshme” në shumë raste.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të presin për proceset e vazhdueshme hetimore dhe do të kontribuojnë në hetimet mbi krimet e luftës të kryera në forcat ruse.
Javën e kaluar, pasi Presidenti Joe Biden e quajti presidentin rus Vladimir Putin “kriminel lufte”, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e quajti karakterizimin e tij “retorikë të papranueshme dhe të pafalshme”.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili kryesoi një takim të ministrave të jashtëm të bllokut të hënën në Bruksel, tha gjithashtu se “ajo që po ndodh në Mariupol është një krim masiv lufte. Ata po shkatërrojnë gjithçka, duke bombarduar dhe vrarë të gjithë pa dallim. Kjo është e tmerrshme.”
Qyteti jugor i rrethuar, pranë Detit Azov ka përjetuar disa nga tmerret më të rënda të luftës. Zyrtarët e qytetit thonë se të paktën 2,300 njerëz kanë vdekur nga sulmet e forcave ruse, një pjesë e tyre të varrosur në varreza masive.
Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në Holandë po mbledh prova për ndonjë krim të mundshëm lufte në Ukrainë, por Rusia, ashtu si Shtetet e Bashkuara, nuk e njeh juridiksionin e gjykatës.
VOAL- Nga dronët kamikaze te sistemet e mbrojtjes raketore me rreze të gjatë S-300.Ja cilat janë armët e përfshira në paketën e re të ndihmës ushtarake prej 800 milionë dollarësh për Ukrainën e shpallur nga presidenti amerikan Joe Biden.Do të mbërrijnë gjithashtu 800 raketa të tjera Stinger, të përdorura tashmë në mënyrë efektive nga ushtria e Kievit kundër helikopterëve rusë dhe avionëve të ulët fluturues, dhe raketa antitank Javelin me një sistem udhëzimi infra të kuqe që u lejon atyre të lokalizojnë objektivin dhe ta përqendrojnë atë duke ndjekur nxehtësinë e motorët.Sistemet sovjetike S-300 do të jenë gjithashtu bazë, shumë efektive në goditjen e avionëve dhe raketave nga distanca të gjata. rsi-eb
VOAL- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të flasë në Kongresin Amerikan të mërkurën.Këtë e bëjnë të ditur demokratët.Zelensky do të flasë të mërkurën, më 16 mars, në orën 9 të mëngjesit me orën lokale, në orën 14:00 , sipas orës sonë. Kështu u bë e ditur në një deklarate të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe udhëheqësit demokrat të Senatit, Chuck Schumer. rsi-eb
Gazetari i New York Times, Brent Renaud është vrarë nga forcat ruse në Irpen të Ukrainës, ndërsa një fotoreporter mbeti i plagosur.
Lidhur me vrasjen e Renaud ka folur edhe një kolege, reportere e PBS Newshour. Ajo thotë se mjekët nuk mund të bënin asgjë.
“Sapo u largova nga vendi buzë rrugës në Irpen, ku trupi i gazetarit amerikan Brent Renaud shtrihej në një batanije. Mjekët ukrainas nuk mund të bënin asgjë për ta ndihmuar atë në atë moment.”-tha Jane Ferguson.
Ndërsa oficeri i policisë ukrainase i indinjuar u shpreh: Thuaji Amerikës, tregoji botës se çfarë i bënë një gazetari.
From TIME Editor in Chief and CEO Edward Felsenthal and President and COO of TIME and TIME Studios Ian Orefice:
Nga kryeredaktori dhe CEO i TIME Edward Felsenthal dhe presidenti dhe drejtuesi i TIME dhe TIME Studios Ian Orefice u lëshua kjo deklaratë:Jemi të shkatërruar nga humbja e Brent Renaud.Si një regjisor dhe gazetar i vlerësuar me çmime, Brent trajtoi historitë më të vështira në mbarë botën, shpesh së bashku me vëllain e tij Craig Renaud.Javët e fundit, Brent ishte në rajon duke punuar në një projekt të TIME Studios të fokusuar në krizën globale të refugjatëve.Zemrat tona janë me të gjithë të dashurit e Brent.Është thelbësore që gazetarët të jenë në gjendje të mbulojnë me siguri këtë pushtim të vazhdueshëm dhe krizë humanitare në Ukrainë.”
Presidenti Joe Biden njoftoi sot se Uashingtoni do t’i heqë Rusisë statusin e vendit të favorizuar në tregti për shkak të agresionit në Ukrainë.
Vendimi nënkupton ndërprerjen e marrëdhënieve normale tregtare me Moskën. Heqja e këtij statusi, në koordinim me vendet e Bashkimit Evropian dhe ato të G7, bën të mundur vendosjen e tarifave ndaj importeve ruse, duke e izoluar edhe më tej ekonominë e këtij vendi. Presidenti njoftoi ndalimin e importeve ruse si pijet alkoolike, prodhimet e detit dhe diamantet.
Sanksionet e reja vijnë mes rritjes së trysnisë dypartiake në Uashington për të anuluar atë që njihet zyrtarisht si “marrëdhënie normale tregtare e përhershme me Rusinë”.
Qëndrimi i Uashingtonit vjen disa ditë pasi Presidenti Biden vendosi të ndalojë importet e naftës dhe gazit rus, duke e bërë Moskën përgjegjëse për nisjen e një lufte të paprovokuar dhe të pajustifikuar kundër Ukrainës.
“Bota e lirë po bashkohet për t’u përballur me Putinin”, tha Presidenti Biden nga dhoma që mban emrin e Presidentit Roosevelt në Shtëpinë e Bardhë. Zoti Biden tha gjithashtu se vendet po shtonin emra të rinj në listën e oligarkëve rusë që po përballen me sanksione.
Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara po ulin eksportet amerikane, si makinat dhe produkte të tjera luksoze. “Ne po ndalojmë eksportin e mallrave luksoze drejt Rusisë”, tha zoti Biden.
Presidenti amerikan tha se sanksionet do të ishin edhe më të mëdha nëse Ukraina sulmohet me armë kimike, një mundësi për të cilën kanë paralajmëruar ditët e fundit zyrtarët e qeverisë amerikane.
“Rusia do të paguante një çmim të rëndë nëse do të përdorte armë kimike”, tha ai.
Statusi i vendit të favorizuar është standard i tregtisë globale që siguron që vendet brenda Organizatës Botërore të Tregtisë të trajtohen në mënyrë të ngjashme. Disa vende të OBT-së gëzojnë privilegje të veçanta për shkak të statusit të tyre si ekonomi në zhvillim. Pas vendimit të sotëm Rusia do të radhiet përkrah Kubës dhe Koresë së Veriut duke humbur statusin e vendit të priveligjuar në tregti.
Kreu i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, Gjeneral-Let. Scott Berrier njoftoi se Rusia ka humbur rreth 6, 000 trupa ushtarakë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.
Zyrtari amerikan njoftoi se është e vështirë të përcaktohen shifra ta sakta, pasi luftimet zhvillohen në kohë reale.
Gjithashtu ai theksoi se numri i të plagosurve mund të jetë trefish më i lartë , se raportimet e publikuara. bw
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shkroi të hënën se nuk duhet lejuar Rusinë të përdorë luftën që ka zgjedhur, për të penguar përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa nënvizoi se Ukraina është mësim se duhet dyfishuar përpjekjet për një marrëveshje Kosovë – Serbi.
Në një shkrim të shpërndarë nga ambasada amerikane në Beograd, zoti Escobar thekson se lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka ndryshuar botën dhe mbështetja e madhe për Ukrainën në ditët e fundit është mbresëlënëse.
“Ne i bashkohemi thirrjes ndërkombëtare për të gjitha vendet, veçanërisht ato në Evropë, për të mbështetur ligjin ndërkombëtar dhe për të refuzuar pa mëdyshje agresionin e paligjshëm që Rusia kreu në Ukrainë, fqinjin e saj. Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë dëgjuar këtë thirrje. Unë i falënderoj ata që qëndrojnë fort pranë Bashkimit Evropian dhe botës së lirë”, shkroi ai.
Zoti Escobar yha se popujt e rajonit të Ballkanit Perëndimor e dinë shumë mirë se sa shkatërruese është lufta.
“Nuk duhet të lejojmë Rusinë të përdorë luftën që ka zgjedhur për të penguar përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Rusia nuk udhëhiqet nga interesat më të mira të këtyre vendeve. Ekonomitë tuaja janë të lidhura me Evropën. Partnerët dhe investitorët tuaj më të mëdhenj tregtarë janë në Bashkimin Evropian. Dhe e ardhmja juaj është të jeni në Evropë si një anëtar i plotë i Bashkimit Evropian”.
Ai tërheq vërejtjen se ka ende shumë për të bërë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë integrimin ekonomik të rajonit, kompromise të qëndrueshme dhe zgjidhje të qëndrueshme për mosmarrëveshjet e pazgjidhura kufitare.
“Le të shërbejë kjo krizë për të siguruar që brezat e ardhshëm këtu në Ballkanin Perëndimor të jetojnë në vende që janë plotësisht të integruara në BE, në një Evropë të tërë, të lirë dhe paqësore. Shtetet e Bashkuara duan të jenë partneri juaj në këtë përpjekje. Situata në të cilën ndodhet Ukraina na mëson se duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të arritur një marrëveshje kompromisi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të ndalojmë veprimtaritë që kërcënojnë qëndrueshmërinë dhe përparimin në Bosnje dhe Hercegovinë”.
Liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor janë forca shumë më të fuqishme se frika dhe shtypja, shkroi ai. “Në luftën midis demokracisë dhe autokracisë, midis sovranitetit dhe bindjes, mos dyshoni: Liria do të fitojë. Evropa dhe Ballkani Perëndimor do të dalin edhe më të fortë”, shkroi zoti Escobar.
Dy ditë më parë, 19 anëtarë të Kongresit amerikan thonë se në kushtet e krijuara nga agresioni rus në Ukrainë, është më e rëndësishme se kurrë që administrata e Presidentit, Joe Biden, të rrisë angazhimin diplomatik në Ballkanin Perëndimor.
Një nga nënshkruesit e letrës, ligjvënësi nga Nju Jorku, Ritchie Torres, ka kërkuar që NATO-ja të anëtarësojë Kosovën në aleancë, duke theksuar se “Shtetet e Bashkuara “nuk kanë aleat më të madh se Kosovën në Evropën Juglindore”.
Të shtunën forca paqeruajtëse e Bashkimit Evropian në Bosnje (EUFOR) tha se Franca do të kryejë stërvitje ajrore me avionë të shpejtë në Bosnje në kushtet e përkeqësimit të situatës së sigurisë në nivel ndërkombëtar.
BE-ja vendosi këtë javë të rrisë numrin e forcave të EUFOR-it nga 600 në 1,100, duke dërguar trupa rezervë nga Austria, Bullgaria, Rumania dhe Sllovakia për të shmangur paqëndrueshmërinë e mundshme pas sulmit rus ndaj Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara dhe partnerët evropianë po shqyrtojnë mundësitë për ndalimin e importeve të karburantit rus, tha të dielën Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, por ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së furnizimeve të qëndrueshme me karburant në nivel global.
“Ne jemi aktualisht në diskutime shumë aktive me partnerët tanë evropianë për ndalimin e importit të karburantit rus në vendet tona dhe në të njëjtën kohë po diskutojmë se si të ruajmë një furnizim të qëndrueshëm global me këto produkte“, tha zoti Blinken gjatë një interviste për rrjetin amerikan televiziv NBC.
Zoti Blinken, i cili aktualisht po viziton disa vende evropiane për të koordinuar me aleatët përpjekjet kundër agresionit rus ndaj Ukrainës, shtoi se ka diskutuar çështjen e importit të karburanteve me Presidentin Joe Biden dhe kabinetin e tij të shtunën.
Pas sulmit të Ukrainës nga Rusia, Shtëpia e Bardhë vendosi sanksione ndaj eksporteve të teknologjisë për rafineritë ruse dhe ndaj gazsjellësit ‘Nord Stream 2’, i cili nuk nisi asnjëherë të operonte. Por deri më tani nuk ka vendosur në shënjestër karburatin që vjen nga Rusia. Administrata Biden po peshon ndikimin që mund të ketë një vendim i tillë në tregjet globale të karburanteve si dhe ndaj çmimit të energjisë në Shtetet e Bashkuara.
I pyetur nëse Uashingtoni ka përjashtuar ndalimin e njëanshëm të importit të karburantit rus, zoti Blinken tha se nuk e përjashtonte marrjen e masave në një mënyrë apo tjetër, pavarësisht se çfarë bën Moska, por qasja tha ai fillon duke u koordinuar me aleatët dhe vendet partnere.
Amerikanët janë konsumatorët më të mëdhenj të benzinës në botë, falë makinave të mëdha, distancave të gjata me makinë dhe mungesës së transportit publik në shumë zona. Kjo ka bërë që rritja e çmimit të benzinës të jetë tradicionalisht një çështje për debat politik mes udhëheqësve amerikanë.
Të dielën çmimi i benzinës në SHBA u rritën në nivelin më të lartë që nga viti 2008, ndërsa administrata Biden po punon me aleatët për të ndaluar importin e karburanteve nga Rusia.
Në vitin 2021 Shtetet e Bashkuara importuan mesatarisht në muaj më shumë se 20.4 milionë fuçi produkte të papërpunuara dhe të rafinuara nga Rusia, sipas Administratës të Informimit mbi Energjinë (EIA).
Zoti Blinken tha se kishte një sërë masash shtesë që Shtetet e Bashkuara po kërkonin të ndërmerrnin për të rritur trysninë ndaj Rusisë, por ai nuk dha asnjë detaj se për çfarë bëhej fjalë./ZiA
VOAL- Shtetet e Bashkuara filluan armatosjen e Ukrainës në fillim të dhjetorit, duke siguruar armë dhe pajisje të dobishme për luftime në zonat urbane.Këtë e raporton Washington Post, duke cituar disa dokumente konfidenciale që përmbajnë listën e dërgesave të bëra.Javën e kaluar, dërgesat janë rritur, përfshirë raketat Stinger për herë të parë. rsi-eb
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.
RFE/RL
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë të premten se pavarësisht thirrjeve nga Kievi, Uashingtoni nuk është i përgatitur për të mbështetur zonën e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, pasi konflikti do të përshkallëzonte me Rusinë “në nivel krejt tjetër”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për zonë të ndalim-fluturimit disa herë, prej kur Moska ka nisur pushtimin e paprovokuar më 24 shkurt, dhe ka përsëritur këtë thirrje më 4 mars, pasi Rusia ka sulmuar centralin më të madh bërthamor në Evropë, i cili gjendet në jug të Ukrainës.
Mirëpo Price ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë nga Brukseli se, ndonëse Perëndimi është duke bërë çka ka mundësi për të mbrojtur Ukrainën “vendosja e forcave të NATO-s në kontakt potencial apo konflikt me Rusinë do ta çonte konfliktin në nivel krejt tjetër”.
“Kjo nuk është diçka për të cilën është e përgatitur SHBA-ja”, ka thënë ai.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se vendet anëtare të aleancës janë pajtuar që asnjë aeroplan i tyre nuk duhet të fluturojë mbi hapësirën ajrore të Ukrainës dhe se trupat e tyre nuk duhet të jenë të pranishme në Ukrainë gjatë sulmit rus në këtë shtet, pavarësisht thirrjeve të Kievit për të zbatuar masën e ndalim-fluturimit.
Duke folur nga Brukseli më 4 mars, pas takimit me ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, Stoltemberg i ka bërë thirrje sërish presidentit rus, Vladimir Putin që të ndalë luftën e paprovokuar kundër Ukrainës, “menjëherë dhe pa kushte”.
Stoltenberg e ka pranuar se Rusia ka mundësi të rrisë sulmet në Ukrainë, dhe se ditët në vijim “mund të jenë më të këqija”.
Price ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do të vazhdojnë të rrin sanksionet kundër Moskës për veprimet e saj agresive, duke paralajmëruar se “nëse presidenti rus, Vladimir Putin vazhdon të përshkallëzojë situatën, ne do të përshkallëzojmë përgjigjen tonë”.
Ai ka thënë se Perëndimi duhet të mbajë të hapur rrugën diplomatike, ndonëse diplomacia “duket se nuk do të triumfojë në këto kushte kur Rusia vazhdon të lëshojë raketa dhe kur forcat e saj avancojnë”.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
Një zyrtar ushtarak i ambasadës për AA njoftoi se ata kanë pranuar më shumë se 3 mijë adresa elektronike nga persona që duan të shkojnë në Ukrainë
Washington DC
Mijëra persona kanë aplikuar në Ambasadën e Ukrainës në Washington në një përpjekje për t’iu bashkuar luftës kundër Rusisë së bashku me ushtrinë ukrainase, raporton Anadolu Agency (AA).
Një zyrtar ushtarak i ambasadës për AA njoftoi se ata kanë pranuar më shumë se 3 mijë adresa elektronike nga persona që duan të shkojnë në Ukrainë.
“Ne iu përgjigjëm atyre dhe u kërkuam të plotësojnë një formular aplikimi. Pastaj, ne do të shqyrtojmë të gjitha aplikimet dhe do të kontrollojmë kush është i aftë për të shkuar. Tani jemi në proces”, tha zyrtari, i cili kërkoi të mos i përmendet emri.
Ai shtoi se më pak se gjysma e atyre që dërguan adresa elektronike kanë plotësuar formularin e aplikimit.
Aplikuesit përfshijnë ish-zyrtar ushtarakë dhe civilë që duan të ndihmojnë popullin ukrainas me çështje humanitare.
Zyrtari i ambasadës ukrainase po ashtu vlerësoi mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën, përfshirë atë të Turqisë të cilën ai e quajti “frymëzuese”.
“Ne morëm mbështetje materiale dhe morale. Mbështetja turke, në veçanti, ka një vlerë të madhe për ne. Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë”, tha ai.
Të mërkurën, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha se 16 mijë trupa të huaja janë rrugës për në Ukrainë për t’iu bashkuar luftës kundër forcave ruse. Dje, sipas presidentit ukrainas, grupi i parë i luftëtarëve mbërriti në Ukrainë në mbrojtje të vendit kundër Rusisë.
Lufta e Rusisë në Ukrainë, që filloi më 24 shkurt, është ballafaquar me dënime ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara (OKB), 227 civilë janë vrarë dhe 525 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës. Megjithatë, autoritetet ukrainase thonë se numri civilëve të vrarë është mbi 2 mijë.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 1 milion njerëz janë larguar nga Ukraina drejt vendeve fqinje.
Senatori amerikan Lindsey Graham të enjten bëri thirrje për vrasjen e presidentit rus Vladimir Putin në mes të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
“A ka ndonjë Brutus në Rusi? A ka një kolonel Stauffenberg më të suksesshëm në ushtrinë ruse? E vetmja mënyrë si përfundon kjo është që dikush në Rusi ta heq qafe këtë person. Ju do t’i bënit vendit tuaj dhe botës një shërbim të madh”, tha Graham në Twitter, pasi foli për “Fox News”.
Claus von Stauffenberg ishte një oficer i ushtrisë gjermane që u përpoq të vriste Adolf Hitlerin në korrik të vitit 1944.
“Të vetmit njerëz që mund ta rregullojnë këtë janë populli rus. Lehtë për t’u thënë, vështirë për t’u bërë. Nëse nuk dëshironi të jetoni në errësirë për pjesën tjetër të jetës tuaj, jini të izoluar nga pjesa tjetër e botës në varfëri të tmerrshme dhe jetoni në errësirë duhet të ngjitesh në pjatë”, ka shkruar ai.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, është pritur me zemërim ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe ndër të tjera që zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Sipas të dhënave të OKB-së, të paktën 227 civilë janë vrarë dhe 525 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës. Megjithatë, autoritetet ukrainase thonë se numri i të vdekurve është mbi 2.000.
Më shumë se 1 milion njerëz kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje, sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët. AA
SHBA ndërmori veprime të menjëhershme të hënën për të ndaluar transaksionet me bankën qendrore ruse në dollarë amerikanë dhe për të bllokuar plotësisht fondin e investimeve direkte ruse, thanë zyrtarë të lartë të administratës. Kjo masë synon bllokimin e disa prej mjetet më të fuqishme të Rusisë për të zbutur efektin e sanksioneve që Perëndimi i ka vendosur.
Hapat kanë për qëllim të parandalojnë Rusinë nga aksesi në një “fond të ditëve me shi” që zyrtarët thanë se Moska priste të mbështetej gjatë pushtimit të Ukrainës. Në vend që të përdorë rezervat për të zbutur rublën në rënie, Rusia nuk do të jetë më në gjendje të përdorë fondet që mban në dollarë amerikanë.
Sanksionet e reja gjithëpërfshirëse, të marra me Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, Italinë, Kanadanë, Bashkimin Evropian dhe të tjerë, vijnë pasi ekonomia e Rusisë është tashmë në rënie të lirë.
“Asnjë vend nuk është prove për sanksionet,” tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. “Arka e luftës e Putinit prej 630 miliardë dollarësh në rezerva ka rëndësi vetëm nëse mund ta përdorë për të mbrojtur monedhën e tij, veçanërisht duke i shitur ato rezerva në këmbim të blerjes së rublës.”
“Pas veprimeve të sotme, kjo nuk do të jetë më e mundur, dhe fortesa e Rusisë do të ekspozohet si një mit.”
Në një telefonatë me gazetarët të hënën në mëngjes, një zyrtar i lartë i administratës tha se masa ishte “kulmi i planifikimit dhe përgatitjes së qeverivë tona në kanalet teknike, diplomatike dhe politike, duke përfshirë në nivelet më të larta”.
“Ne ishim gati dhe kjo është ajo që na lejoi të vepronim brenda ditëve, jo javëve apo muajve nga përshkallëzimi i Putinit”, tha zyrtari.
“Strategjia jonë, për ta thënë thjesht, është të sigurohemi që ekonomia ruse të shkojë prapa për sa kohë që Presidenti Putin vendos të vazhdojë me pushtimin e tij në Ukrainë”, tha një zyrtar i dytë i lartë i administratës.
Në një përpjekje për të zbutur ndikimin e sanksioneve mbi konsumatorët e energjisë amerikane dhe evropiane, Departamenti i Thesarit do të përjashtojë shumicën e transaksioneve të lidhura me energjinë nga sanksionet.
Ish-ambasadori amerikan: Mbajeni shënim, Vuçiç mbajti anën e Putinit, jo Perëndimit
Ish-ambasadori i SHBA në Kosovë, Philip Kosnett me një shënim në Twitter, ka shkruar se BE-ja dhe SHBA-ja duhet të mbajë shënim qëndrimin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç në lidhje me sulmin rus në Ukrainë.
Ish-ambasadori në Prishtinë, Kosnett shkruan, se qëndrimi i Vuçiç, duke u fshehur pas kishës dhe popullit, është një qëndrim frikacaku.
‘Pra, duket se presidenti i Serbisë, Vuçiç ka zgjedhur Putinin në vend të Perëndimit – ndërsa pretendon se duart e tij janë të lidhura nga opinioni publik dhe fshihet pas Kishës. Kjo nuk është udhëheqje; është moral frikacaku. BE, SHBA ju lutem mbani shënim’, – shkruan ish-ambasadori i SHBA në Kosovë, Philip Kosnett.
Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se Rusia s’ka qenë në asnjë moment nën kërcënimin e NATO-s.
“E kemi parë Putin-in të bëjë të tilla deklarata herë pas here. Por Rusia në asnjë moment s’ka qenë nën kërcënimin e NATO-s, dhe Rusia nuk ka qenë nën kërcënimin e Ukrainës.”-tha ajo.
Më tej, sekeretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë shton se SHBA ka aftësinë të mbrohet, por presin një reagim nga Presidenti rus, Vladimir Putin.
Ky reagim nga Shtëpia e Bardhë vjen në kohën kur Presidenti Vladimir Putin vendosi në gatishmëri sistemin e mbrojtjes ndaj forcave bërthamore. syri.net
Sekretari amerikan, Antony Blinken, ka autorizuar Departamentin amerikan të Mbrojtjes që të ofrojë edhe 350 milionë dollarë shtesë asistencë ushtarake për Ukrainën, raporton Gazeta Express.
Blinken ka shkruar se asistenca është për ta ndihmuar Ukrainën ta mbrojë veten nga lufta e pajustifikuar e Rusisë.
“Sot autorizova Departamentin e Mbrojtjes për të ofruar 350 milionë dollarë shtesë në ndihmë të menjëhershme ushtarake për Ukrainën për të ndihmuar në mbrojtjen e saj nga lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë. Të bashkuar me Ukrainën”, ka shkruar Blinken.
Forcat ruse kanë avancuar drejt kryeqytetit ukrainas, Kiev, teksa lufta ka hyrë në ditën e tretë. Autoritetet ukrainase kanë thënë se Kievi po goditet me artileri dhe raketa, teksa presidenti Volodymyr Zelenskyi është zotuar se do ta mbrojnë vendin.
Diaspora ukrainase protestoi anë e mbanë botës, kundër agresionit rus në Ukrainë. Shumë protestues i bënë thirrje Perëndimit të mbështeste më shumë Ukrainën, ndërsa bënin thirrje për ndalimin e luftimeve.
E gjithë bota reagoi kundër agresionit rus në Ukrainë.
Me thirrjet “ Ndalni luftën!”, “Stop Rusisë” mijëra banorë dolën në protestë në sheshin “Time Square” në Nju Jork.
Qyteti i Nju Jorkut është shtëpia e më shumë se 150 mijë qytetarëve ukrainas, e shumë prej tyre me lot në sy bënin thirrje për ndalimin e luftës.
“Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë tmerrin dhe tronditjen, edhe pse kishim paralajmërime për javë të tëra”, thotë Katerina Belyaeva, shtetase ukrainase.
Disa javë para sulmit, Bjellorusia lejoi trupat ruse në tokën e saj, duke krijuar kështu një rrugë për të sulmuar fqinjin e saj jugor, Ukrainën, nga veriu.
“Ndjehem shumë e turpëruar që vendi im e mbështeti këtë regjim dhe këtë agresion. Dhe ndihem shumë e turpëruar që njerëzit e vendit tim e bëjnë këtë, ata po vrasin ukrainasit”, thotë Sasha Vasilyeva nga Bjellorusia.
Një grup protestuesish në kryeqytetin amerikan, Uashington, në rrugën para ambasadës ruse shkruajtën: Vrasës! Disa mbanin në duar pankarta ku thuhej: “Duart larg Ukrainës”.
Protestuesit në Toronto të Kanadasë teksa valëvitën flamuj ukrainas kërkuan sanksione më të ashpra ndaj Rusisë.
“Familja ime është atje në Ukrainë, të gjithë miqtë e mi janë atje në Ukrainë. Unë jam vetëm, nuk kam fjalë. Unë nuk e dua këtë luftë, askush nuk dëshiron” thotë Artem, një student nga Ukraina.
Protesta të ngjashme u mbajtën edhe në shumë kryeqytete europiane. Protestues të diasporës ukrainase në Paris u shprehën të zhgënjyer nga reagimi i Perëndimit.
“Unë prisja një reagim më të fortë nga Shtetet e Bashkuara ose nga Bashkimi Evropian. Sigurisht ne presim një ndihmë, ose të paktën një mbështetje më efikase sepse ka filluar të jetë e vështirë, ka filluar të bëhet më e vështirë”, thotë Oksana, një ish-mësuese në Ukrainë.
Në Romë, Koloseu mori ngjyrat e flamurit Ukrainës, në shenjë mbështetjeje për vendin i cili është nën agresionin ushtarak rus.
VOAL – Presidenti amerikan Joe Biden do të emërojë Ketanji Brown Jackson në Gjykatën e Lartë. Raportuan stacioni televiziv CNN dhe agjencia e lajmeve Associated Press.
Ketanji Brown Jackson është gruaja e parë afrikano-amerikane që përmendet në mesin e “burrave të mençur”; 51 vjeçe, aktualisht ndodhet në Gjykatën e Apelit të Uashingtonit.
Me emërimin e Jackson, Biden përmbush premtimin e tij zgjedhor për të emëruar një grua afrikano-amerikane dhe për të diversifikuar më tej Gjykatën e Lartë, e cila për dy shekuj përbëhej vetëm nga burra të bardhë.
Jackson, nëse konfirmohet nga Senati, do të jetë gruaja e gjashtë që do të ulet në mesin e të urtëve dhe, ndonëse nuk ndryshon bilancin e votimit (ai zëvendëson Stephen Breyer, të nominuar nga Bill Clinton), do të sjellë numrin e grave që aktualisht përbëjnë Corte. së bashku me Amy Coney Barrett, Elena Kagan dhe Sonia Sotomayor. rsi-eb
Ish-Presidenti amerikan George Bush ka reaguar pas fillimit të invazionit rus në Ukrainë, duke e quajtur presidentin Putin autoritar dhe bullizues që s’duhet toleruar.
George Bush ka thënë se Ukraina është shtet mik i ShBA-së dhe meriton mbështetjen e plotë gjatë kësaj kohe të vështirë.
“Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës përbën krizën më të rëndë të sigurisë në kontinentin evropian që nga Lufta e Dytë Botërore. Unë i bashkohem komunitetit ndërkombëtar në dënimin e pushtimit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Vladimir Putin. Qeveria dhe populli amerikan duhet të solidarizohen me Ukrainën dhe popullin ukrainas, derisa ata kërkojnë lirinë dhe të drejtën për të zgjedhur të ardhmen e tyre. Ne nuk mund të tolerojmë bullizmin autoritar dhe rrezikun që paraqet Putin. Ukraina është miku dhe aleati ynë demokratik dhe meriton mbështetjen tonë të plotë gjatë kësaj kohe të vështirë”, ka deklaruar Bush. syri.net
Shanset për një zgjidhje diplomatike të krizës në Ukrainë u ngushtuan pasi Shtetet e Bashkuara thanë se një takim midis Presidentit Joe Biden dhe Presidentit rus, Vladimir Putin nuk do të jetë i mundur pas agresioneve të fundit të Moskës.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, u tha gazetarëve më 22 shkurt se një takim i propozuar i dy liderëve është jashtë tavolinës për momentin pas vendimit të Putinit për të njohur dy rajone separatiste në Ukrainë si shtete të pavarura dhe për të dërguar trupa atje.
Psaki nuk e përjashtoi një takim eventual të të dyve, por ajo tha se Biden nuk do të takohej me presidentin rus nëse Rusia nuk shtensionon situatën në Ukrainë duke tërhequr trupat e saj.
“Ne kurrë nuk do ta mbyllim plotësisht derën e diplomacisë,” u tha ajo gazetarëve.
Megjithatë, ajo shtoi se “diplomacia nuk mund të ketë sukses nëse Rusia nuk ndryshon kursin”.
Kjo erdhi disa orë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se kishte anuluar një takim me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov që ishte planifikuar të mbahej në fund të kësaj jave.
“Tani që ne shohim se pushtimi po fillon dhe Rusia e ka bërë të qartë refuzimin e saj të plotë të diplomacisë, nuk ka kuptim të vazhdohet me atë takim në këtë moment,” tha Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me Ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
Pavarësisht veprimeve të tij kundër Ukrainës, Putin më 23 shkurt tha se vendi i tij ishte ende gati të kërkonte “zgjidhje diplomatike” për krizën, por ai shtoi se interesat e Rusisë nuk ishin të negociueshme.
“Interesat e Rusisë, siguria e qytetarëve tanë , janë të panegociueshme për ne,” tha Putin në një fjalim.
Më shumë vende perëndimore vendosën sanksione ndaj Rusisë, pas Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Britanisë në përpjekje për të ndëshkuar Moskën për veprimet e saj në Ukrainë.
Më 21 shkurt, Putin nënshkroi dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste, Luhansk dhe Donjeck.
Dy republikat e vetëshpallura popullore kontrollohen nga separatistët pro-rusë, të cilët luftojnë kundër forcave ukrainase qysh në vitin 2014.
Putin i urdhëroi trupat ruse që të kryejnë, siç tha ai, “funksione paqeruajtëse” në të dyja rajonet.
Kriza aktuale ka nisur në fund të vitit të kaluar, kur Rusia ka filluar të grumbullojë trupa në kufi me Ukrainën.
Rusia, prej kohësh, ka kundërshtuar lëvizjen e Ukrainës drejt institucioneve të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.
Ajo ka kërkuar garanci nga NATO-ja se do të ndalojë zgjerimin drejt lindjes. SHBA-ja dhe NATO-ja kanë refuzuar kërkesën ruse, por kanë ofruar rrugë diplomatike për zgjidhjen e krizës.
Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, por ajo ka qenë “vend partner” i saj qysh më 2008 – vitin kur ka aplikuar për Planin e Veprimit për Anëtarësim. Kjo do të thotë se asaj mund t’i lejohet anëtarësimi në aleancë në të ardhmen.
Putin tha më 21 shkurt se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të paraqiste rrezik për sigurinë ruse.
Presidenti Joe Biden njoftoi të martën se Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione të rënda financiare ndaj bankave ruse, oligarkëve rusë dhe familjarëve të tyre, duke deklaruar se Moska ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin ndërkombëtar duke sulmuar Ukrainën.
Sanksionet përfshijnë jo vetëm bankat ruse, por edhe borxhin sovran të Rusisë.
Sanksionet do të zbatohen ndaj bankës VEB dhe ndaj Promsvyazbank, e cila shërben si banka e ushtrisë ruse dhe kryen transaksionet në fushën e mbrojtjes. Nga dita e mërkurë, sanksionet do të fillojnë edhe ndaj elitave ruse dhe familjarëve të tyre.
Presidenti Biden tha se një goditje e tillë ndaj borxhit sovran të Rusisë, do të thotë se praktikisht Rusisë do t’i ndërpritet financimi perëndimor.
“Askush prej nesh nuk do të mashtrohet” nga pretendimet e Presidentit rus Vladimir Putin për Ukrainën, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara duke folur nga Shtëpia e Bardhë. Ai tha se këto janë vetëm “transheja e parë” e sanksioneve që Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate janë të përgatitura për të vendosur nëse Rusia bën një sulm më të gjerë ndaj Ukrainës.
“Ai po krijon një racionalitet për të marrë më shumë territore me forcë”, tha Presidenti Biden për komentet më të fundit të Presidentit rus Vladimir Putin. “Ky është fillimi i një sulmi rus ndaj Ukrainës”.
Presidenti Biden tha se po autorizon gjithashtu dislokimin e forcave amerikane drejt vendeve balltike në krahun lindor të NATO-s pranë kufirit me Rusinë, në shenjë solidariteti përballë rrezikut rus.
Presidenti Biden i bashkohet 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilët ranë dakort të martën të vendosin sanksionet e tyre të para ndaj zyrtarëve rusë, për shkak të veprimeve të tyre ndaj Ukrainës.
Komisioni i Rithemelimit i është përgjigjur ambasadores amerikane Yuri Kim. Diplomatja iu drejtua sot me disa pyetje kandidatëve të zgjedhjeve të 6 marsit, duke iu thënë se çfarë iu ofrojnë votuesve nëse sponsori i tyre është i sanksionuar për korrupsion nga SHBA.
Komisioni i Rithemelimit i kërkon ambasadores të tërhiqet nga kjo deklaratë duke e cilësuar si ndërhyrje në procesin zgjedhor.
Deklarata e plotë:
Ndërkohë që fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit ka nisur zyrtarisht, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka bërë sot në Twitter ndërhyrjen e saj të radhës, në shkelje flagrante të ligjeve dhe Kushtetutës se vendit, në mbështetje narkoqeverisë së Tiranes. Ajo, defacto, ju ka bërë thirrje zgjedhësve se për kë duhet të votojnë.
Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, denoncon deklarata të tilla politike nga përfaqësues të huaj gjatë fushatave elektorale. Komisioni I konsideron ato si ndërhyrje të palejueshme, të papranueshme, e të njëanshme në procesin zgjedhor, në rastin konkret në favor të qeverisë më të korruptuar të Europes.
Mbi të gjitha, kjo deklaratë është në kundërshtim të plotë me Nenin 41 të Konventës së Vienës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe Protokollet Opsionale, nënshkruar në vitin 1961 në të cilën edhe Shqipëria është palë. Neni 41 pika 1 thotë shprehimisht: “Pa paragjykuar privilegjet dhe imunitetet e tyre, është detyrë e çdo personi që gëzon këto privilegje dhe imunitete të respektojë ligjet dhe rregullat e shtetit pritës. Ata gjithashtu nuk kanë të drejtë të përzien në çështjet e brendshme të atij Shteti.”
Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike thekson se shqiptarët hedhin poshtë luftën me lobingje korruptive dhe pa fakte kundër korrupsionit si nji praktikë që ndihmon korrupsionin.
Komisioni i kërkon Ambasadores Yuri Kim tërheqjen e kësaj deklarate e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, për respektimin e të cilit, partitë politike në Shqipëri, janë të angazhuara.
Komisioni dënon cdo ndërhyrje në procesin zgjedhor, për më tepër kur qëllimi final është mbështetja për qeverinë më të korruptuar të Europës, që cdo ditë largon shqiptarët nga vendi i tyre, dhe sponsorizimi i një opozite fasade misioni i vetëm i se cilës është vrasja e shpresës duke bërë pazare me qeverinë.
Së fundi, Komisioni deklaron se sponsorizuesi dhe llogarimarrësi i vetëm i kandidatëve të “Shtëpise së Lirisë” është populli opozitar që refuzon të pranojë se alternativa e vetme ndaj Edi Rames është bari që ofron znj. Kim.
Është ky popull që i perzgjodhi këta kandidatë dhe po ai do t’i votojë. Nesër, kur ata të jenë fitues, detyrimi i vetëm i tyre nuk do jete as ndaj liderëve politike dhe aq me pak ndaj diplomatëve në shërbimin e Edi Ramës, por vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë!
Ardian Murraj: E Hëna e tretë e muajit Shkurt në SHBA njihet si “Dita e Presidentëve” dhe është një festë zyrtare kombëtare. Nga njohja juaj kur u vendos ajo dhe çfarë i bën kjo ditë bashkëkombasit të mendojnë dhe mënyrën se si ta kujtojnë dhe ta festojnë atë?
Aristotel Mici: – “Dita e Presidentëve” në Amerikë ka filluar të festohet që nga viti 1885 dhe është vendosur e Hëna e tretë e Shkurtit që koincidon me datëlindjet e dy persidentëve të mëdhenj të Amerikës. E presidentit George Washington (22 Shkurti) dhe Abraham Lincoln (12 Shkurti) dhe midis këtyre dy datave zgjidhet dita e Hënë si Dita e Presidentëve. Kjo është festë në mbarë Amerikën dhe një ditë simbolike sepse të gjithë presidentët e e zgjedhur nga populli dhe përfaqësojnë vullnetin dhe sovranitetin e popullit.
Ardian Murraj: – Ju e nisët si një referat gati 12 vjet më parë këtë temë dhe më pas arritët të botonit një libër. Pra në këtë kërkim arkivor materialesh dhe kurreshtar që keni grumbulluar si mund t’i ndani ato si elementë dhe të dhëna të shkencës së historisë për njohje?
Aristotel Mici: – Lidhur me “Ditën e Presidentit”, unë kisha disa ngacmime të karakterit shkollor dhe historik për të njohur më shumë vendin dhe për të qenë qytetar të Amerikës me një lloj formimi për vendin ku jetojmë. Kështu nga leksionet e dëgjuara dhe librat e lexuar arrita të konceptoj disa nga personalitetet e mëdha të historisë së Amerikës dhe të zgjedh katër presidentët për të cilët mblodha materialet dhe botova librin “Presidentët Amerikanë në Monumentin e Malit Rushmore”, ku jepen katër portrete presidentësh. Kjo nuk është një zgjedhje e imja, por është zgjedhja e vetë popullit amerikan, artistëve amerikanë dhe ndërgjegjja e historisë amerikane bëri që këta te katër presidentë të lartësohen ne një monument madhështor, ndoshta më i larti në botë në shtetin e South Dakota-s, në një mal 1745 metra të lartë. Atje ngrihen portretet e katër presidentëve ku sejcili prej tyre ka një bust me lartësi 18 metra. Karakteristike për t’u treguar është se mali ku janë gdhendur ata është prej graniti që nuk dëmtohet nga rreshjet dhe errozioni, dielli dhe era. Skulptori i njohur Gutzon Borglum (me një grup prej 400 gur gdhendësish punoi nga viti 1927-1941). Presidenti i kohës Calvin Coolidge e cilësoi këtë vepër si një vend të shenjtë dhe altar. Ky vend vizitohet nga miliona njerëz amerikanë dhe nga vende të tjera të botës. Vizita atje të njeh me katër kolona të historisë së SHBA-së . Presidentin (1-rë) George Washington (1732-1799) që sa ishte gjallë u quajt “Ati i kombit të vet”. Presidenti (3-të) Thomas Jefferson (1743-1826) që ishte autori i Deklaratës së Pavarësisë. Presidenti (16-të) Abraham Lincoln (1809-1865) i cili shpëtoi unionin e 50 shteteve nga përçarja dhe shkëputja. Presidenti (26-të) Theodore Roosevelt (1858-1919) një nga reformatorët e Amerikës i cili deklaroi se SHBA nuk është vetëm një fuqi kontinentale, por është një fuqi botërore.
Në vijim shkrimi i studiuesit Aristotel Mici
Presidenti Washington dhe Revolucioni Amerikan
Portret historik
Për gjithë meritat e tij prej strategu, ligjvënësi, dhe udhëheqësi vizionar, Presidenti Washington u quajt që me gjalljen e tij “Ati i kombit të vet”.
George Washington, Presidenti i parë i Amerikës, lindi më 22 shkurt të vitit 1732 në Mount Vernon, të Virginia-s. Prindërit e tij qenë latifondistë të pasur që zotëronin plantacione të gjëra tokash. Kur ishte njëmbëdhjetë vjeç i vdiq i ati . Atëherë ai u mbështet për ecurinë e tij mësimore dhe edukative tek i vëllai i madh (nga babai), Laurenci, i cili ishte një oficer i kulturuar. George Washingtoni e kishte figurë ideale të vëllanë dhe e imitonte atë; ndiqte këshillat dhe mësimet e tij. Ai ishte krenar për të. Washingtoni e kishte shpresë të vëllanë, po ai nuk ishte mirë me shëndet se vuante nga tuberkulozi. Kur Laurenci do të shkonte në ishullin Barbados (zona e Karaibeve) për kurim klimatik, me 1751, Washingtoni e shoqëroi atë, duke shpresuar ashtu se klima e ngrohtë do t`ia përmirësonte shëndetin. Po nuk qe fat. Laurenci vdiq një vit më vonë, me 1752. Mbas kësaj ngjarjeje të hidhur mbështetja kryesore e djaloshit të ri, do të bëhej e ëma. Mary Washington, që ishte një grua autoritare dhe serioze. Kur Washingtoni deshte të shkonte në shkollën e Marinës, ajo nuk ia aprovoi atë dëshirë. Dhe më vonë, kur i biri, ëndërronte për të vajtur për studime në Angli, ajo përsëri u bë pengesë, duke i kujtuar fermën që duhej të administronte. Sidoqoftë ai e bëri një shkollë. George Washingtoni ndoqi një kurs special në kolegjin shumë të njohur për atë kohë “William and Mary”, që ndodhej në Williamsburg të Virginias. Atje, në atë kolegj ai u diplomua si topograf dhe kontrollor tokash. Ndërkohë, qysh në rininë e parë, Washingtoni po dallohej edhe për aftësitë ushtarake. Në moshën njëzet e një vjeçare ai fitoi gradën e majorit. Në praktikën e përditshme Washingtoni po dukej gjithnjë e më shumë si një ushtarak i talentuar. Guvernatori i Virginias, i cili i kishte parë prirjet e tij , të shkathta prej oficeri, e thirri dhe i tha se do ta bënte komandant të ushtrisë për gjithë Virginian. George Washington e pranoi atë detyrë. Ishte viti 1755. Atëherë ai ishte vetëm 23 vjeç.
Më 1758 Washington-i njihet me një vejushe të re, Martha Kustis. Ajo ishte 25 vjeçe dhe kishte dy fëmijë. Washingtoni ra në dashuri dhe u martua me të.
Në atë kohë, në mes të shekullit XVIII, Anglia kishte 13 koloni në Amerikën e Veriut. Njerëzit që jetonin nëper koloni quheshin kolonistë. Ata përgjithesisht ishin me origjinë angleze, irlandeze, holandeze, por kishte edhe nga nacionalitete të tjera.
Qeveritarët anglezë i detyronin kolonistët (banorët e kolonive) të paguanin taksa të ndryshme. Ndërkohë kolonistët nuk kishin përfaqësitë e tyre në qeverisjen e vendit. Kjo ishte një padrejtësi që kolonistët nuk po e duronin dot më. Mbreti i Anglisë, George i Tretë, nuk po i merrte parasysh kërkesat e kolonistëve. Ai qe i vendosur që kolonistët t`i bindeshin dhe të paguanin taksa vazhdimisht pa kundërshtim. Populli i të 13 Kolonive Britanike po zjente atëherë nga shpirti i revoltës kundër sundimit shfrytëzues të Mbrtërsë së Anglisë. Gjithë banorët e kolonive po përqafonin gjithnjë e më shumë sloganin: “No taxation Without Representatives”, që do të thoshte “jo taksa pa përfaqësuesit tanë”. (No taxation without representation. Jo taksim pa përfaqësim)
Ndërkohë, pas Paqes së Parisit të vitit 1763, në banorët e kolonive qe zgjuar edhe ndjenja e kombëtarisë. Kolonistët kishin filluar ta quanin veten jo “englezë”, po “englezo-amerikanë”, ose vetëm amerikanë. Ishte koha kur qenë krijuar organizatat patriotike si “The sons of Liberty” dhe “Daughter of Liberty”, kur po dalloheshin mendimtarë e aktivistë të shquar si George Washingtoni, Patrik Henry, Samuel Adams, John Adams, ThomasJefferson e të tjerë. Në këtë kohë Patrick Henry do të deklaronte trimërisht në sallën e përfaqësuesve të Virginias: “Give me liberty or give me the death” (më jep lirinë, ose më jep vdekjen), e thënë shkurt shqip, thirrje për “Liri a vdekje”.
Nga dita në ditë atmosfera revolucionare po bëhej gjithnjë e më shpërthyese në të gjitha kolonitë Britanike të Amerikës së Veriut. Shenja e parë e rëndësishme e stuhisë revolucionare ishte Masakra e Bostonit, më 5 Mars,1770. Këtë ditë mijëra bostonianë dolën në revoltë popullore kundër sundueve anglezë. Ata ecnin duke hedhur parulla protestuese. Ushtarët britanikë, të pazotë për ta frenuar turmën e revoltuar, hapën zjarr mbi popull. Nga të shtënat u vranë pesë protestues dhe u plagosën me dhjetra të tjerë Kjo ngjarje e përgjakshme bëri bujë dhe jehona e saj u ndje në të gjitha kolonitë. Masakra e Bostonit u bë preludi i Revolucionit Amerikan.
Me këte rast duhet të kujtojmë se ushtarët që qëlluan me armë zjarri mbi demonstruesit, si edhe ata që dhanë urdhërin, u akuzuan dhe dolën para gjyqit. Qeveria nuk ndërhyri te gjyqësori për këtë çështje; dhe e treta gjë, që mbahet mend, është se avokati mbrojtës për të pandehurit, do të ishte John Adams, një nga ideatorët e Revolucionit Amerikan, i cili do të zgjidhej pas Washington-it, Presidenti i Dytë i Amerikës.
Tre vjet më vonë, më 16 Dhjetor, 1973, një grup patriotësh, të maskuar me veshje si indianë indigjenë, u futën në anijet e ngarkuara me pako të mëdha çaji, të cilat i hodhën në det në gjirin e Bostonit . Për këtë aksion patriotik antiqeveritar, juristi John Adams, do të shprehej: “This is the most magnificent movement of all”. (Kjo është lëvizja më madhështore nga të gjithat).
Pastaj, pas dy vjetësh, në Prill 1775, shpërtheu beteja e Lexington-it, që u bë fillimi i pandalshëm i revolucionit Amerikan që po ndizej në të gjitha kolonitë Britanike.
Atëherë, në këto rrethana revolte dhe proteste masive, u mblodh në fshehtësi dhe në mënyrë shumë sekrete Kongresi Kontinental Amerikan, që filloi më 5 shtator 1774. Ky kongrese qysh në mbledhjen e tij të parë diskutoi për çështjen e pavarësisë së kolonive, por ende nuk vendosi të shpallte menjëherë luftë për independencë. Megjithatë, kjo luftë dukej se ishte e pashmangshme. Kolonistët tashmë e dinin se nuk kishin ç`të prisnin më nga Anglia.
Në mbledhjen e tij të dytë, më 15 Qershor 1775, Kongresi Amerikan, duke shqyrtuar për organizimin dhe drejtimin e një ushtrie, që të përballonte luftën me Mbretërinë e Anglisë, vendosi që të zgjidhte edhe komandantin e përgjithshëm të kësaj ushtrie. Kongresi aprovoi propozimin e juristit të njohur, John Adams, i cili sugjeroi që George Washingtoni të emërohej komandant i përgjithshëm i ushtrisë Amerikane. Këtë detyrë ai e filloi më 2 korrik 1775 në shtetin e Massachusettsit. Që këtej Washingtoni do të niste marrshimin e tij triumfal për Pavarësinë e Amerikës. Do të ishte ky komandanti i famshëm, që si një strateg i talentuar, që njihte artin ushtarak të kohës, do të udhehiqte ushtrinë e Revolucionit Amerikan në tërë ato beteja fitimtare.
Pas gati një vit luftimesh, që nga koha kur George Washingtoni mori detyrën e kryekomandantit, Kongresi Amerikan më 4 Korrik 1776, do të shpallte Deklaratën e Pavarësisë. Ky lajm i shumëpritur u bë publik në sheshin para godinës shtetërore të Filadelfias më datën 8 korrik. Atë ditë Korriku një kambanë e madhe buçiti. (The Big Bell rang). Ajo kambanë, që peshon 943-kilogram, e ka gjuhëzën e saj prej me shumë se 22 kilogram. Me buçitjet e saj kambana mblodhi në shesh me dhjetra e mijëra njerëz për të dëgjuar fjalët e Deklaratës së Pavarësisë. Ideatori dhe hartuesi kryesor i kësaj Deklarate ishte Thomas Jefferson, i cili u quajt “Ati i Deklaratës se Pavarësisë”
Firmëtari i parë i këtij dokumenti historik qe presidenti i Kongresit Kontinental, John Hancock, i cili e shkroi emrin e vet me shkronja të zmadhuara, duke thënë: “I guess King George will be able to read that” (“Unë e marr me mend se mbreti George do të arrijë ta lexoj këtë”).
Në pjesën e parë Deklarata konfirmonte se njerëzit janë të barabartë para ligjit. Në pjesën e dytë flitet për qëndrimin kritik ndaj mbretit të Anglisë, George i Tretë, i cili pat abuzuar me pushtetin dhe se kolonistët kishin të drejtë të rebeloheshin ndaj regjimit të tij. Dhe, në pjesën e tretë të këtij dokumenti historik deklarohej se kolonitë Britanike shpalleshin tani e përgjithëmonë “The United States of America” (Shtetet e Bashkuara të Amerikës)
I mbështetur në parimet e Deklaratës së Pavarësisë, George Washington-i do të udhëhiqte me trimëri e zgjuarsinë e një strategu të vërtetë ushtrinë revolucionare të Amerikës në sa e sa beteja të përgjakshme, duke nisur që nga beteja famshme e Saratogës, te Long Island, Princeton, Trenton e deri te beteja e Yorktown-it, më 19 Tetor 1781. Këtë ditë gjenerali anglez Lord Cornwallis me gjithë ushtrinë e tij prej 7,200 trupash iu dorëzua Komandës së Gjeneral Washington-it. Dy ditë pas kësaj ngjarjeje banda e ushtrisë britanike do të këndonte këngën:
“The World turned upside down” që do të thotë se bota u kthye përmbys.
Me këtë betejë do të mbyllej epopeja heroike e popullit Amerikan për pavarësi.
Kështu në kontinentin e Amerikës së Veriut u krijua një shtet i ri, dhe një komb i ri.
Ky shtet i ri do të njihej botërish, mbas shtatë vjet luftimesh, prej të gjitha vendeve, më datën 3 shtator, 1783, në bazë të vendimeve të Traktatit të Paqes, që u mbajt në Paris midis Mbretërisë së Anglisë dhe ShBA-së.
Revolucioni Amerikan doli vërtetë fitimtar, por vendi nuk po qeverisej ende nga një kushtetutë e kompletuar. Në të vërtetë të trembëdhjetë Shtetet e Amerikës qenë marrë vesh që të administroheshin nga një dokument i titulluar “Artikuj të Konfederatës” (The Articles of Confederation), që ishin në thelb vazhdimi i orientimeve të Kongresit të Dytë Kontinental.
Koha po kërkonte që Amerika të udhëhiqej nga një kushtetutë më e studjuar. Revolucionarët amerikanë progresivë e dinin që fitorja kundër anglezeve ishte vetëm fillimi. Ruajtja e fitores dhe forcimi i pushtetit qendror ishin shumë të rëndësishme. Lidhur me këtë problem midis ligjvënësve amerikanë lindi një debat i ashpër. Ishin krijuar dy grupe. Ata që kërkonin forcimin e pushtetit qendror, pra, qevrinë e gjithë kombit, quheshin Federalistë. Midis tyre ishin Washington-i, Hamilton-i, Medison-i, James Willson.
Aleksandër Hamilton, që kishte punuar për një kohë të gjatë si sekretar personal i Washington-it, e shprehte hapur mospëlqimin e tij për “Artikujt e Konfederatës”. “Kombi, shkruante ai, është si një i sëmurë, dhe që të shërohet do një ilaç të fortë dhe ky ilaç qartësonte ai, është një qeverisje e fortë nacionale”. Kurse ata që nuk donin një qeveri të fortë nacionale, por një qeveri të fortë të shteteve të veçanta, u quajtën Antifederalistë. Këta të fundit nuk e donin një qeveri qendrore federative të fortë, sepse, sipas tyre, një qeveri e tillë fuqiplotë do të zëvendësonte tiraninë britanike me një tjetër qeveri të fuqishme. Midis opzitarëve antifederalistë, që nuk donin ratifikimin e kushtetutës ishte edhe revolucionari ardent i orëve të para të Revolucionit Amerikan, Patrick Henry, që arsyetonte se kështu me një qeveri qendrore të fortë “presidenti bëhet një zyrtar shumë i lartë, i cili fare lehtësisht kthehet në mbret”. Pra, midis 13 Shteteve të Bashkuara të Amerikës egzistonte një konfuzion politik përsa i përkiste administrimit shtetëror.
Në një atmosferë të tillë plot me debate dhe kundërshtime të ndërsjellta, në verën e vitit 1787 mblidhet në Filadelfia Konventa Konstitucionale. Delegati brilant i kësaj konvente do të ishte Xhejmes Medison… Ai ishte më i riu , por më i përgatituri, më i kulturuari, më profesionali për gjithë çështjet konstitucionale. Ai do të ishte hartuesi kryesor i kushtetutës së re Amerikane, prandaj do të quhej nga të gjithë si “Ati i Kushtetutës”.
Megjithë mesazhet dhe informacionet juridike që jepte me shumë mençuri Medison-i, mosmarrëveshjet nuk qenë sheshuar. Më në fund, delegati i shtetit Konektikat Roger Sherman propozoi kompromisin e tij të famshëm, që gjeti konsensus nga shumica. Në bazë të ketij kompromisi gjithë shtetet do të përfaqësoheshin në kongrese në mënyrë të barabartë, duke pasur në Senat nga dy senatorë secili, kurse popujt e shteteve do të zgjidhnin përfaqësuesit e tyre për në Dhomën e Përfaqësuesve të popullit sipas sasisë së banorëve në mënyrë proporcionale.
Si përfundim, pas shumë debatesh dhe polemikash Kushtetuta qe hartuar dhe më 17 shtator të vitit 1787 ishte gati për t`u firmosur nga delegatët e pranishëm të shteteve. Shteti i Delaware-it e firmosi i pari Kushtetutën e re, më 7 dhjetor 1787. Të fundit e firmosën delegatët e shtetit Rhode Island, në Majin e vitit 1790.
***
Ishte e qartë për të gjithë se figura qendrore në Amerikë si gjatë Revolucionit, dhe në vitet pas tij, qe ajo e George Washington-it. Ai e kishte fituar dashurinë e popullit me trimërinë, zgjuarsinë dhe modestinë e tij. Pse e themi edhe me modestinë e tij? Së pari këtë anë të figurës së tij e tregojnë biografët: kur Kongresi Kontinental Amerikan e propozoi Washington-in si komandant të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, ai me modesti u deklaroi të pranishmeve: “Unë nuk e ndjej veten të zot për detyrën e komandantit”. Por Kongresi ishte i vendosur që atë funksion do t`ia besonte vetëm atij. Atëherë, me sinqeritetin e tij Washingtoni iu drejtua përsëri Kongresit, duke pohuar se po e pranonte detyrën e komandantit të përgjithshëm, po nuk pranonte të paguhej për atë shërbim në ushtrinë e revolucionit.
Një vit para se të përfundonte lufta kundër kolonizatorëve britanikë, një kolonel i ushtrisë së tij tha midis të tjerave:” Amerika e çliruar duhet të bëhet monarki me Washington-in mbret”. Ndërsa Washington-i i dha atij me një herë një përgjigje kundërshtuese: “………ju kurrë nuk mund të gjeni një person tjetër më mos pranues se sa unë për këtë ide”.
Washingtoni kishte fituar admirimin e gjithë popullit amerikan. Një gjeneral, bashkëluftëtar i kohës së tij, ka shkruar në kujtimet e e veta se “George Washington-i ishte i pari në luftë, i pari në kohë paqeje, i pari edhe në zemrat e bashkëqytetarëve”. Mirëpo siç thonë biografët, pas mbarimit të luftimeve Washington-i e ndjente veten të lodhur dhe nuk kishte synime për të marrë përsipër detyra të larta shtetërore. Diku në biografinë e tij shkruhet se kur ikën ushtarët e fundit anglezë nga Amerika dhe vendi qe çliruar përfundimisht nga sundimi i mbretit të Anglisë, Washington-i u tha bashkëluftëtarëve në një mbledhje të posaçme: “Ju e shikoni se si më janë bërë gri flokët nga thinjat në luftime. Shikimi më është dobësuar. Tani unë jam duke e zbritur kodrën, jam 52 vjeç. Tani unë dua të shkoj në shtëpinë time”. Deshte të çlodhej. Dhe vërtetë ai vajti në shtëpinë e tij, në Mount Vernon, në fermën e vet, ku e priste familja. Po nuk kishin kaluar dhe aq shumë ditë që kur Washington-i, pat mbrrijtur atje, kur i vjen pa pritur një letër nga shokët e tij prej Philadelphia-s.
“ Lexoma, ti Martha,” i tha së shoqes.
“Shokët e tu janë mbledhur për të bërë ligjet në një kuvend, po ata të kërkojnë ty që të jesh në krye – foli Martha duke lexuar letrën me kujdes.
“Unë kam nevojë të rri këtu në fermë”, tha ai sapo dëgjoi ato fjalë të Marthës.
“Ndërsa vendi ka nevojë për ty” ia ktheu ajo, duke buzëqeshur. Atëherë Washingtoni mori rrugën ende i paqetësuar, dhe shkoi në mbledhjen e Philadelphia-s. ku delegatët e zgjodhën President të Konventës Konstitucionale.
Për meritat e tij të larta gjatë luftës si gjeneral i shkëlqyer si edhe për përkushtimin ndaj popullit, Kongresi e zgjodhi Washington-in në mënyrë unanime Presidentin e Parë të ShBA-së më 30 Prill të vitit 1789. Washington-i qe futur thellë në zemrën e popullit, qe bërë pjesë e ndërgjegjes së popullit dhe kombit të ri Amerikan. Ai u zgjodh president edhe për katër vjetet e legjislaturës se dytë. Po kur i propozuan Washington-it edhe për radhën e tretë, ai jo vetëm nuk pranoi, po la edhe një porosi që … “asnjë president të mos zgjidhej më shumë se dy herë radhazi”. Kjo këshillë e tij u pranua dhe u bë ligj e normë morale në politikën amerikane. Ky është një shembull i shkëlqyer nga i cili mund të mësojnë gjithë presidentët e botës, dhe gjithë kryetarët e qeverive . Ky orientim i Presidentit të Parë të Amerikës fliste për gjykim e tij visionar lidhur me të ardhmen e Amerikës, që do të kishte rëndësi të posaçme për jetën politike dhe konstitucionale, që shmang kultin e individit si edhe autoritarizmin e liderit, gjoja, “të pazëvendësueshëm”
***
George Washington-i, që u shqua si një strateg i Revolucionit Amerikan dhe drejtues i sigurt i jetës së vendit, ishte edhe një diplomat largpamës. Biografët e tij shkruajnë se ai qe edhe një vizionar i mprehtë në arenën diplomatike. Filozofia e tij në fushën e politikës së jashtme ishte ajo e ekuilibrit të Amerikës. Në atë kohë ai kishte mendimin që të evitoheshin aleancat ushtarake dhe veprimet luftarake që nuk kishin të bënin me zhvillimin e vendit. Gjithë energjitë dhe resurset e Amerikës duhet të përdoreshin për fuqizimin e Amerikës, për forcimin e ekonomisë së saj.
Në kohën e presidencës së Washington-it lindi një mosmarreveshje lidhur me politikën e jashtme. Konkretisht, në një konflikt anglo-francez, Thomas Jeffersoni kërkonte që SHBA të mbështeste Francën e të merrte anën e saj, kurse Alexander Hamilton këmbengulte që Amerika të mbështeste Anglinë e të anonte nga Anglia. Në këto momente kritike dhe delikate për shtetin e ri Amerikan, u desh gjykimi largpamës i Presidentit Washington, që mbrojti idenë e neutralitetit të Amerikës në konfliktin midis dy fuqive të mëdha ndërluftuese të kohës në Europë, Francës dhe Anglisë. Siç tregon në librin e vet Marian Leighton, me zgjuarsinë e tij diplomatike, Presidenti Washington orientoi situatën dhe politikën e jashtëme, duke theksuar se “Amerika nuk kish as miq e aleanca të përhershme dhe as armiq të përhershëm, por vetëm interesa të përhershme.”
Presidenti i parë i Amerikës, George Washington, vdiq më 14 dhjetor 1799, në Mount Vernon, në moshën 67 vjeç. Ai u nda fizikisht nga gjiri i shoqerisë Amerikane, por ngeli i gjallë e i nderuar në kujtesën e mbarë popullit, si simboli i unitetit amerikan. Mjafton të themi se kryeqyteti i SHBA-së, Wahington DC mban emrin e tij,. Ai është i vetmi president emrin e të cilit e mban një shtet në Amerikë.. Shumë rrugë, bulevarde, sheshe dhe institucione mbajnë gjithashtu emrin e tij. Për gjithë meritat e tij prej strategu , ligjvënësi dhe udhëheqësi me mendje të ndritur, George Washington-i u quajt me gjalljen e tij “Ati i kombit të vet”.
Bibliografi
Adler D, George Washington Father of Our Country NY, 1995.
Davidson J., The American Nation, MA. Prentice Hall, 1995
Hoobler Th. and D., “George Washington and Presidents` Day”, NY, 1990
Leighton M., “ GeorgeWashington”, Baronetbooks, NY, 1997.
Smith L. and Nici Mare N., Insightfor Today , Boston, 1996
Whitnay D,” The American Presidents, Bookspan, NY., 2001.
Wood G. , The American Revolution, Modern Library, NY, 2002.
Uashingtoni tha se trupat ruse të grumbulluara pranë kufirit të Ukrainës po përparonin dhe janë “gati për të goditur”.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA Lloyd Austin tha se forcat ruse po fillonin “t’i afroheshin më shumë” kufirit me ish-fqinjin e saj sovjetik.
“Shpresojmë që ai (Putini) të tërhiqet nga pragu i konfliktit,” tha zoti Austin në një konferencë shtypi në Lituani, duke thënë se një sulm ndaj Ukrainës mund të shmangej.
Rusia thotë se po i largon forcat nga kufiri por Uashingtoni dhe aleatët perëndimorë thonë se përqendrimi i trupave po rritet.
Nënpresidentja Kamala Harris tha se Shtetet e Bashkuara do të përforcojnë krahun lindor të NATO-s për të frenuar përparimin e mëtejshëm ushtarak rus, paralalisht me paralajmërimin për sanksione.
“Kufijtë kombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë,” tha zonja Harris në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
“Ne kemi përgatitur masa ekonomike që do të jenë të shpejta, të rënda dhe të koordinuara,” tha ajo. “Ne do të vëmë në shënjestër institucionet financiare dhe industritë kryesore të Rusisë.”
Por udhëheqësit perëndimorë këmbëngulin se ka ende vend për përpjekjet diplomatike.
“Historia nuk është shkruar ende: ka një rrugë tjetër që qeveria ruse mund të zgjedhë në çdo kohë,” tha Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock pas një takimi të ministrave të jashtëm perëndimorë.
“Mesazhi ynë i përbashkët për ta është shumë i qartë: Mos e bëni këtë gabim fatal. Tërhiqni trupat. Le të flasim.”
Presidenti i Ukrainës Volodymr Zelenskiy i cilu u takua me zonjën Harris në Mynih të shtunën tha se vendi i tij po kërkon “paqe”.
Ai bëri thirrje më pas në Konferencën e Mynihut se për një takim të fuqive globale për të marrë garanci të reja sigurie për Ukrainën, sepse siç tha ai sistemi aktual global është shumë i dobët.
Zoti Zelenskiy u bëri thirrje gjithashtu anëtarëve të aleancës së NATO-s që të jenë të sinqertë nëse duan apo jo që Ukraina të anëtarësohet.
I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha sot se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë dhe se bisedimet nuk kanë të bëjnë me statusin e saj.
Ai i bëri këto komente gjatë një seance dëgjimore në komitetin për marrëdhënie ndërkombëtare të Senatit Amerikan, me temën Ballkani Perëndimor: Mbështetja e paqes dhe përparimit, përgjatë së cilës tërhoqi vërejtjen te kërcënimi rus dhe kinez ndaj përparimit në rajon.
Zoti Escobar, i cili në fillim të këtij muaji ishte në Prishtinë dhe në Beograd së bashku me të dërguarin evropian, Miroslav Lajcak, tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian, që janë edhe vendi në të cilin të dyja palët, si të barabarta, duhet të punojnë për të zgjidhur dallimet dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që u duhet të dyja shteteve për të ardhmen e tyre evropiane. Kjo, tha ai, duhet të përqendrohet në njohje të ndërsjellë.
Ai i shprehu mbështetjen formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është edhe çështja më e diskutueshme në bisedimet Kosovë – Serbi.
“E mbështesim krijimin e Asociacionit për shumë arsye. E para është se për të palët janë pajtuar. Edhe pse Gjykata Kushtetuese (e Kosovës) ka thënë se disa pjesë nuk janë në përputhje me Kushtetutën, nuk ka thënë se vetë Asociacioni është jokushtetues. Në kuadër të bisedimeve, është në dorën e Kosovës dhe Serbisë që të vendosin se si do të dukej (asociacioni). Nuk duhet të jetë, dhe sigurisht ne nuk duam që të jetë i ngjashëm me Republikën Serbe, por ne i kemi bërë thirrje dhe kolegu im Lajçak i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës të shqyrtojë modelet që ata besojnë se mund të jenë të përshtatshme, që nuk do të dëmtojnë sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës”, tha ai.
I pyetur nga senatori Bob Menendez se çfarë i kërkohet Serbisë në shkëmbim të trysnisë ndaj Kosovës për asociacionin, zoti Escobar tha se “qëllimi i bisedimeve është që çdo gjë të lëvizë në të mirë të Kosovës, që të jemi të sinqertë, me rezultatin përfundimtar, njohjen e ndërsjellë. Pra nuk ka të bëjnë me statusin e Kosovës por njohjen se ajo është vend i pavarur dhe sovran”.
Zoti Escobar tha se Shtetet e Bashkuara presin nga qeveria e Kosovës “të angazhohen plotësisht në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja dhe t’i shohin ato si negociata të vërteta për të arritur qëllimin kryesor që është njohja e ndërsjellë me Serbinë, njohja nga pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën dhe anëtarësimin në të gjitha organizatat ndërkombëtare që ata duan të anëtarësohen. Kjo do të kërkojë kompromis dhe ne kemi qenë shumë të qartë. Ambasadori ynë i ri, Jeff Hovenier, e ka bërë këtë shumë të qartë gjatë takimeve të tij të para me qeverinë (e kryeministrit Albin) Kurti dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, tha ai.
Zoti Escobar tha se shtyllat e politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor janë, Evropa, NATO-ja dhe integrimi rajonal.
“Është besimi ynë se këto vende duhet të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ato janë kulturalisht, historikisht dhe ekonomikisht pjesë e Evropës dhe ne besojmë se duhet të jenë anëtarë të bllokut”, tha ai duke nënvizuar se çdo vend që është anëtar i Bashkimit Evropian është më demokratik, më i qëndrueshëm dhe më i përparuar pa asnjë kosto për të tjerët.
“Shtylla e dytë është anëtarësimi në NATO, për ata që kualifikohen për këtë dhe ato vende që nuk janë ende të interesuara për NATO-n, të jenë më të angazhuara me aleancën”, tha ai duke vënë theksin tek Serbia e cila pohon se është neutrale, por ka shtuar angazhimin me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n gjatë dy viteve të fundit.
“Dhe së fundi, është integrimi ekonomik e politik rajonal dhe prandaj mbështesim Ballkanin e Hapur, tregun e përbashkët rajonal dhe çdo program që krijon përfshirje në tregun evropian”, tha ai.
Zoti Escobar tha se përparimi rajonal kërcënohet nga ndikimi politik dhe ekonomik i Kinës dhe Rusisë, duke theksuar se Rusia shfrytëzon furnizimin me energji për të nxitur korrupsionin dhe për të penguar zhvillimin. Ajo u bën tifo etno-nacionalizmit dhe ndarjeve. Kina, tha ai, po zgjeron praninë e saj përmes kredive dhe të ashtuquajturave investime, që ai i cilësoi si “diplomaci borxhesh”.
“Çështja e varësisë nga energjia ruse nuk është problem vetëm i Ballkanit, por edhe i një pjese të konsiderueshme të Evropës. Ballkani ka edhe një problem tjetër, që është varësia e tij nga energjia e prodhuar nga qymyri. Ne kemi një strategji për sigurinë energjetike që përfshinë energjinë e ripërtërishme, gazin e lëngshëm natyror dhe rrugët alternative për furnizim me energji“, tha zoti Escobar, ndërsa theksoi se “nxitja e qeverisjes transparente, të drejtave të njeriut dhe rendit ligjor ndërkombëtar, janë në qendër të angazhimit kundër këtyre veprimeve destabilizuese” të Rusisë dhe Kinës.
Duke folur për Bosnje e Hercegovinën, zoti Escobar tha se problemi kryesor nuk është etno-nacionalizmi, por korrupsioni dhe se Bosnja është vendi i tretë më i korruptuar në Evropë.
Në fillim të vitit Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione kundër udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, për korrupsion dhe kërcënim të qëndrueshmërisë dhe tërësisë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës.
Zoti Escobar tha se synimi është që serbët të kthehen në institucionet qendrore të Bosnjës dhe që Dodikut qoftë përmes anagzhimit politik, qoftë përmes sanksioneve, t’i pamundësohet që t’i dëmtojë më tej ato institucione.