Pentagoni akuzoi të hënën forcat ruse për kryerje të krimeve të luftës në Ukrainë.
“Ne sigurisht po shohim prova të qarta se forcat ruse po kryejnë krime lufte dhe ne po ndihmojmë në mbledhjen e provave për këtë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, në përgjigje të një pyetjeje të Zërit të Amerikës.
Zoti Kirby akuzoi gjithashtu forcat ruse për kryerjen e “sulmeve pa dallim ndaj civilëve” që ishin “të qëllimshme” në shumë raste.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të presin për proceset e vazhdueshme hetimore dhe do të kontribuojnë në hetimet mbi krimet e luftës të kryera në forcat ruse.
Javën e kaluar, pasi Presidenti Joe Biden e quajti presidentin rus Vladimir Putin “kriminel lufte”, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e quajti karakterizimin e tij “retorikë të papranueshme dhe të pafalshme”.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili kryesoi një takim të ministrave të jashtëm të bllokut të hënën në Bruksel, tha gjithashtu se “ajo që po ndodh në Mariupol është një krim masiv lufte. Ata po shkatërrojnë gjithçka, duke bombarduar dhe vrarë të gjithë pa dallim. Kjo është e tmerrshme.”
Qyteti jugor i rrethuar, pranë Detit Azov ka përjetuar disa nga tmerret më të rënda të luftës. Zyrtarët e qytetit thonë se të paktën 2,300 njerëz kanë vdekur nga sulmet e forcave ruse, një pjesë e tyre të varrosur në varreza masive.
Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në Holandë po mbledh prova për ndonjë krim të mundshëm lufte në Ukrainë, por Rusia, ashtu si Shtetet e Bashkuara, nuk e njeh juridiksionin e gjykatës.
VOAL- Nga dronët kamikaze te sistemet e mbrojtjes raketore me rreze të gjatë S-300.Ja cilat janë armët e përfshira në paketën e re të ndihmës ushtarake prej 800 milionë dollarësh për Ukrainën e shpallur nga presidenti amerikan Joe Biden.Do të mbërrijnë gjithashtu 800 raketa të tjera Stinger, të përdorura tashmë në mënyrë efektive nga ushtria e Kievit kundër helikopterëve rusë dhe avionëve të ulët fluturues, dhe raketa antitank Javelin me një sistem udhëzimi infra të kuqe që u lejon atyre të lokalizojnë objektivin dhe ta përqendrojnë atë duke ndjekur nxehtësinë e motorët.Sistemet sovjetike S-300 do të jenë gjithashtu bazë, shumë efektive në goditjen e avionëve dhe raketave nga distanca të gjata. rsi-eb
VOAL- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të flasë në Kongresin Amerikan të mërkurën.Këtë e bëjnë të ditur demokratët.Zelensky do të flasë të mërkurën, më 16 mars, në orën 9 të mëngjesit me orën lokale, në orën 14:00 , sipas orës sonë. Kështu u bë e ditur në një deklarate të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe udhëheqësit demokrat të Senatit, Chuck Schumer. rsi-eb
Gazetari i New York Times, Brent Renaud është vrarë nga forcat ruse në Irpen të Ukrainës, ndërsa një fotoreporter mbeti i plagosur.
Lidhur me vrasjen e Renaud ka folur edhe një kolege, reportere e PBS Newshour. Ajo thotë se mjekët nuk mund të bënin asgjë.
“Sapo u largova nga vendi buzë rrugës në Irpen, ku trupi i gazetarit amerikan Brent Renaud shtrihej në një batanije. Mjekët ukrainas nuk mund të bënin asgjë për ta ndihmuar atë në atë moment.”-tha Jane Ferguson.
Ndërsa oficeri i policisë ukrainase i indinjuar u shpreh: Thuaji Amerikës, tregoji botës se çfarë i bënë një gazetari.
From TIME Editor in Chief and CEO Edward Felsenthal and President and COO of TIME and TIME Studios Ian Orefice:
Nga kryeredaktori dhe CEO i TIME Edward Felsenthal dhe presidenti dhe drejtuesi i TIME dhe TIME Studios Ian Orefice u lëshua kjo deklaratë:Jemi të shkatërruar nga humbja e Brent Renaud.Si një regjisor dhe gazetar i vlerësuar me çmime, Brent trajtoi historitë më të vështira në mbarë botën, shpesh së bashku me vëllain e tij Craig Renaud.Javët e fundit, Brent ishte në rajon duke punuar në një projekt të TIME Studios të fokusuar në krizën globale të refugjatëve.Zemrat tona janë me të gjithë të dashurit e Brent.Është thelbësore që gazetarët të jenë në gjendje të mbulojnë me siguri këtë pushtim të vazhdueshëm dhe krizë humanitare në Ukrainë.”
Presidenti Joe Biden njoftoi sot se Uashingtoni do t’i heqë Rusisë statusin e vendit të favorizuar në tregti për shkak të agresionit në Ukrainë.
Vendimi nënkupton ndërprerjen e marrëdhënieve normale tregtare me Moskën. Heqja e këtij statusi, në koordinim me vendet e Bashkimit Evropian dhe ato të G7, bën të mundur vendosjen e tarifave ndaj importeve ruse, duke e izoluar edhe më tej ekonominë e këtij vendi. Presidenti njoftoi ndalimin e importeve ruse si pijet alkoolike, prodhimet e detit dhe diamantet.
Sanksionet e reja vijnë mes rritjes së trysnisë dypartiake në Uashington për të anuluar atë që njihet zyrtarisht si “marrëdhënie normale tregtare e përhershme me Rusinë”.
Qëndrimi i Uashingtonit vjen disa ditë pasi Presidenti Biden vendosi të ndalojë importet e naftës dhe gazit rus, duke e bërë Moskën përgjegjëse për nisjen e një lufte të paprovokuar dhe të pajustifikuar kundër Ukrainës.
“Bota e lirë po bashkohet për t’u përballur me Putinin”, tha Presidenti Biden nga dhoma që mban emrin e Presidentit Roosevelt në Shtëpinë e Bardhë. Zoti Biden tha gjithashtu se vendet po shtonin emra të rinj në listën e oligarkëve rusë që po përballen me sanksione.
Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara po ulin eksportet amerikane, si makinat dhe produkte të tjera luksoze. “Ne po ndalojmë eksportin e mallrave luksoze drejt Rusisë”, tha zoti Biden.
Presidenti amerikan tha se sanksionet do të ishin edhe më të mëdha nëse Ukraina sulmohet me armë kimike, një mundësi për të cilën kanë paralajmëruar ditët e fundit zyrtarët e qeverisë amerikane.
“Rusia do të paguante një çmim të rëndë nëse do të përdorte armë kimike”, tha ai.
Statusi i vendit të favorizuar është standard i tregtisë globale që siguron që vendet brenda Organizatës Botërore të Tregtisë të trajtohen në mënyrë të ngjashme. Disa vende të OBT-së gëzojnë privilegje të veçanta për shkak të statusit të tyre si ekonomi në zhvillim. Pas vendimit të sotëm Rusia do të radhiet përkrah Kubës dhe Koresë së Veriut duke humbur statusin e vendit të priveligjuar në tregti.
Kreu i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, Gjeneral-Let. Scott Berrier njoftoi se Rusia ka humbur rreth 6, 000 trupa ushtarakë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.
Zyrtari amerikan njoftoi se është e vështirë të përcaktohen shifra ta sakta, pasi luftimet zhvillohen në kohë reale.
Gjithashtu ai theksoi se numri i të plagosurve mund të jetë trefish më i lartë , se raportimet e publikuara. bw
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shkroi të hënën se nuk duhet lejuar Rusinë të përdorë luftën që ka zgjedhur, për të penguar përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa nënvizoi se Ukraina është mësim se duhet dyfishuar përpjekjet për një marrëveshje Kosovë – Serbi.
Në një shkrim të shpërndarë nga ambasada amerikane në Beograd, zoti Escobar thekson se lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka ndryshuar botën dhe mbështetja e madhe për Ukrainën në ditët e fundit është mbresëlënëse.
“Ne i bashkohemi thirrjes ndërkombëtare për të gjitha vendet, veçanërisht ato në Evropë, për të mbështetur ligjin ndërkombëtar dhe për të refuzuar pa mëdyshje agresionin e paligjshëm që Rusia kreu në Ukrainë, fqinjin e saj. Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë dëgjuar këtë thirrje. Unë i falënderoj ata që qëndrojnë fort pranë Bashkimit Evropian dhe botës së lirë”, shkroi ai.
Zoti Escobar yha se popujt e rajonit të Ballkanit Perëndimor e dinë shumë mirë se sa shkatërruese është lufta.
“Nuk duhet të lejojmë Rusinë të përdorë luftën që ka zgjedhur për të penguar përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Rusia nuk udhëhiqet nga interesat më të mira të këtyre vendeve. Ekonomitë tuaja janë të lidhura me Evropën. Partnerët dhe investitorët tuaj më të mëdhenj tregtarë janë në Bashkimin Evropian. Dhe e ardhmja juaj është të jeni në Evropë si një anëtar i plotë i Bashkimit Evropian”.
Ai tërheq vërejtjen se ka ende shumë për të bërë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë integrimin ekonomik të rajonit, kompromise të qëndrueshme dhe zgjidhje të qëndrueshme për mosmarrëveshjet e pazgjidhura kufitare.
“Le të shërbejë kjo krizë për të siguruar që brezat e ardhshëm këtu në Ballkanin Perëndimor të jetojnë në vende që janë plotësisht të integruara në BE, në një Evropë të tërë, të lirë dhe paqësore. Shtetet e Bashkuara duan të jenë partneri juaj në këtë përpjekje. Situata në të cilën ndodhet Ukraina na mëson se duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të arritur një marrëveshje kompromisi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të ndalojmë veprimtaritë që kërcënojnë qëndrueshmërinë dhe përparimin në Bosnje dhe Hercegovinë”.
Liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor janë forca shumë më të fuqishme se frika dhe shtypja, shkroi ai. “Në luftën midis demokracisë dhe autokracisë, midis sovranitetit dhe bindjes, mos dyshoni: Liria do të fitojë. Evropa dhe Ballkani Perëndimor do të dalin edhe më të fortë”, shkroi zoti Escobar.
Dy ditë më parë, 19 anëtarë të Kongresit amerikan thonë se në kushtet e krijuara nga agresioni rus në Ukrainë, është më e rëndësishme se kurrë që administrata e Presidentit, Joe Biden, të rrisë angazhimin diplomatik në Ballkanin Perëndimor.
Një nga nënshkruesit e letrës, ligjvënësi nga Nju Jorku, Ritchie Torres, ka kërkuar që NATO-ja të anëtarësojë Kosovën në aleancë, duke theksuar se “Shtetet e Bashkuara “nuk kanë aleat më të madh se Kosovën në Evropën Juglindore”.
Të shtunën forca paqeruajtëse e Bashkimit Evropian në Bosnje (EUFOR) tha se Franca do të kryejë stërvitje ajrore me avionë të shpejtë në Bosnje në kushtet e përkeqësimit të situatës së sigurisë në nivel ndërkombëtar.
BE-ja vendosi këtë javë të rrisë numrin e forcave të EUFOR-it nga 600 në 1,100, duke dërguar trupa rezervë nga Austria, Bullgaria, Rumania dhe Sllovakia për të shmangur paqëndrueshmërinë e mundshme pas sulmit rus ndaj Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara dhe partnerët evropianë po shqyrtojnë mundësitë për ndalimin e importeve të karburantit rus, tha të dielën Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, por ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së furnizimeve të qëndrueshme me karburant në nivel global.
“Ne jemi aktualisht në diskutime shumë aktive me partnerët tanë evropianë për ndalimin e importit të karburantit rus në vendet tona dhe në të njëjtën kohë po diskutojmë se si të ruajmë një furnizim të qëndrueshëm global me këto produkte“, tha zoti Blinken gjatë një interviste për rrjetin amerikan televiziv NBC.
Zoti Blinken, i cili aktualisht po viziton disa vende evropiane për të koordinuar me aleatët përpjekjet kundër agresionit rus ndaj Ukrainës, shtoi se ka diskutuar çështjen e importit të karburanteve me Presidentin Joe Biden dhe kabinetin e tij të shtunën.
Pas sulmit të Ukrainës nga Rusia, Shtëpia e Bardhë vendosi sanksione ndaj eksporteve të teknologjisë për rafineritë ruse dhe ndaj gazsjellësit ‘Nord Stream 2’, i cili nuk nisi asnjëherë të operonte. Por deri më tani nuk ka vendosur në shënjestër karburatin që vjen nga Rusia. Administrata Biden po peshon ndikimin që mund të ketë një vendim i tillë në tregjet globale të karburanteve si dhe ndaj çmimit të energjisë në Shtetet e Bashkuara.
I pyetur nëse Uashingtoni ka përjashtuar ndalimin e njëanshëm të importit të karburantit rus, zoti Blinken tha se nuk e përjashtonte marrjen e masave në një mënyrë apo tjetër, pavarësisht se çfarë bën Moska, por qasja tha ai fillon duke u koordinuar me aleatët dhe vendet partnere.
Amerikanët janë konsumatorët më të mëdhenj të benzinës në botë, falë makinave të mëdha, distancave të gjata me makinë dhe mungesës së transportit publik në shumë zona. Kjo ka bërë që rritja e çmimit të benzinës të jetë tradicionalisht një çështje për debat politik mes udhëheqësve amerikanë.
Të dielën çmimi i benzinës në SHBA u rritën në nivelin më të lartë që nga viti 2008, ndërsa administrata Biden po punon me aleatët për të ndaluar importin e karburanteve nga Rusia.
Në vitin 2021 Shtetet e Bashkuara importuan mesatarisht në muaj më shumë se 20.4 milionë fuçi produkte të papërpunuara dhe të rafinuara nga Rusia, sipas Administratës të Informimit mbi Energjinë (EIA).
Zoti Blinken tha se kishte një sërë masash shtesë që Shtetet e Bashkuara po kërkonin të ndërmerrnin për të rritur trysninë ndaj Rusisë, por ai nuk dha asnjë detaj se për çfarë bëhej fjalë./ZiA
VOAL- Shtetet e Bashkuara filluan armatosjen e Ukrainës në fillim të dhjetorit, duke siguruar armë dhe pajisje të dobishme për luftime në zonat urbane.Këtë e raporton Washington Post, duke cituar disa dokumente konfidenciale që përmbajnë listën e dërgesave të bëra.Javën e kaluar, dërgesat janë rritur, përfshirë raketat Stinger për herë të parë. rsi-eb
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.
RFE/RL
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë të premten se pavarësisht thirrjeve nga Kievi, Uashingtoni nuk është i përgatitur për të mbështetur zonën e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, pasi konflikti do të përshkallëzonte me Rusinë “në nivel krejt tjetër”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për zonë të ndalim-fluturimit disa herë, prej kur Moska ka nisur pushtimin e paprovokuar më 24 shkurt, dhe ka përsëritur këtë thirrje më 4 mars, pasi Rusia ka sulmuar centralin më të madh bërthamor në Evropë, i cili gjendet në jug të Ukrainës.
Mirëpo Price ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë nga Brukseli se, ndonëse Perëndimi është duke bërë çka ka mundësi për të mbrojtur Ukrainën “vendosja e forcave të NATO-s në kontakt potencial apo konflikt me Rusinë do ta çonte konfliktin në nivel krejt tjetër”.
“Kjo nuk është diçka për të cilën është e përgatitur SHBA-ja”, ka thënë ai.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se vendet anëtare të aleancës janë pajtuar që asnjë aeroplan i tyre nuk duhet të fluturojë mbi hapësirën ajrore të Ukrainës dhe se trupat e tyre nuk duhet të jenë të pranishme në Ukrainë gjatë sulmit rus në këtë shtet, pavarësisht thirrjeve të Kievit për të zbatuar masën e ndalim-fluturimit.
Duke folur nga Brukseli më 4 mars, pas takimit me ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, Stoltemberg i ka bërë thirrje sërish presidentit rus, Vladimir Putin që të ndalë luftën e paprovokuar kundër Ukrainës, “menjëherë dhe pa kushte”.
Stoltenberg e ka pranuar se Rusia ka mundësi të rrisë sulmet në Ukrainë, dhe se ditët në vijim “mund të jenë më të këqija”.
Price ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do të vazhdojnë të rrin sanksionet kundër Moskës për veprimet e saj agresive, duke paralajmëruar se “nëse presidenti rus, Vladimir Putin vazhdon të përshkallëzojë situatën, ne do të përshkallëzojmë përgjigjen tonë”.
Ai ka thënë se Perëndimi duhet të mbajë të hapur rrugën diplomatike, ndonëse diplomacia “duket se nuk do të triumfojë në këto kushte kur Rusia vazhdon të lëshojë raketa dhe kur forcat e saj avancojnë”.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
Një zyrtar ushtarak i ambasadës për AA njoftoi se ata kanë pranuar më shumë se 3 mijë adresa elektronike nga persona që duan të shkojnë në Ukrainë
Washington DC
Mijëra persona kanë aplikuar në Ambasadën e Ukrainës në Washington në një përpjekje për t’iu bashkuar luftës kundër Rusisë së bashku me ushtrinë ukrainase, raporton Anadolu Agency (AA).
Një zyrtar ushtarak i ambasadës për AA njoftoi se ata kanë pranuar më shumë se 3 mijë adresa elektronike nga persona që duan të shkojnë në Ukrainë.
“Ne iu përgjigjëm atyre dhe u kërkuam të plotësojnë një formular aplikimi. Pastaj, ne do të shqyrtojmë të gjitha aplikimet dhe do të kontrollojmë kush është i aftë për të shkuar. Tani jemi në proces”, tha zyrtari, i cili kërkoi të mos i përmendet emri.
Ai shtoi se më pak se gjysma e atyre që dërguan adresa elektronike kanë plotësuar formularin e aplikimit.
Aplikuesit përfshijnë ish-zyrtar ushtarakë dhe civilë që duan të ndihmojnë popullin ukrainas me çështje humanitare.
Zyrtari i ambasadës ukrainase po ashtu vlerësoi mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën, përfshirë atë të Turqisë të cilën ai e quajti “frymëzuese”.
“Ne morëm mbështetje materiale dhe morale. Mbështetja turke, në veçanti, ka një vlerë të madhe për ne. Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë”, tha ai.
Të mërkurën, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha se 16 mijë trupa të huaja janë rrugës për në Ukrainë për t’iu bashkuar luftës kundër forcave ruse. Dje, sipas presidentit ukrainas, grupi i parë i luftëtarëve mbërriti në Ukrainë në mbrojtje të vendit kundër Rusisë.
Lufta e Rusisë në Ukrainë, që filloi më 24 shkurt, është ballafaquar me dënime ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara (OKB), 227 civilë janë vrarë dhe 525 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës. Megjithatë, autoritetet ukrainase thonë se numri civilëve të vrarë është mbi 2 mijë.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 1 milion njerëz janë larguar nga Ukraina drejt vendeve fqinje.
Senatori amerikan Lindsey Graham të enjten bëri thirrje për vrasjen e presidentit rus Vladimir Putin në mes të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
“A ka ndonjë Brutus në Rusi? A ka një kolonel Stauffenberg më të suksesshëm në ushtrinë ruse? E vetmja mënyrë si përfundon kjo është që dikush në Rusi ta heq qafe këtë person. Ju do t’i bënit vendit tuaj dhe botës një shërbim të madh”, tha Graham në Twitter, pasi foli për “Fox News”.
Claus von Stauffenberg ishte një oficer i ushtrisë gjermane që u përpoq të vriste Adolf Hitlerin në korrik të vitit 1944.
“Të vetmit njerëz që mund ta rregullojnë këtë janë populli rus. Lehtë për t’u thënë, vështirë për t’u bërë. Nëse nuk dëshironi të jetoni në errësirë për pjesën tjetër të jetës tuaj, jini të izoluar nga pjesa tjetër e botës në varfëri të tmerrshme dhe jetoni në errësirë duhet të ngjitesh në pjatë”, ka shkruar ai.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, është pritur me zemërim ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe ndër të tjera që zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Sipas të dhënave të OKB-së, të paktën 227 civilë janë vrarë dhe 525 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës. Megjithatë, autoritetet ukrainase thonë se numri i të vdekurve është mbi 2.000.
Më shumë se 1 milion njerëz kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje, sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët. AA
SHBA ndërmori veprime të menjëhershme të hënën për të ndaluar transaksionet me bankën qendrore ruse në dollarë amerikanë dhe për të bllokuar plotësisht fondin e investimeve direkte ruse, thanë zyrtarë të lartë të administratës. Kjo masë synon bllokimin e disa prej mjetet më të fuqishme të Rusisë për të zbutur efektin e sanksioneve që Perëndimi i ka vendosur.
Hapat kanë për qëllim të parandalojnë Rusinë nga aksesi në një “fond të ditëve me shi” që zyrtarët thanë se Moska priste të mbështetej gjatë pushtimit të Ukrainës. Në vend që të përdorë rezervat për të zbutur rublën në rënie, Rusia nuk do të jetë më në gjendje të përdorë fondet që mban në dollarë amerikanë.
Sanksionet e reja gjithëpërfshirëse, të marra me Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, Italinë, Kanadanë, Bashkimin Evropian dhe të tjerë, vijnë pasi ekonomia e Rusisë është tashmë në rënie të lirë.
“Asnjë vend nuk është prove për sanksionet,” tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. “Arka e luftës e Putinit prej 630 miliardë dollarësh në rezerva ka rëndësi vetëm nëse mund ta përdorë për të mbrojtur monedhën e tij, veçanërisht duke i shitur ato rezerva në këmbim të blerjes së rublës.”
“Pas veprimeve të sotme, kjo nuk do të jetë më e mundur, dhe fortesa e Rusisë do të ekspozohet si një mit.”
Në një telefonatë me gazetarët të hënën në mëngjes, një zyrtar i lartë i administratës tha se masa ishte “kulmi i planifikimit dhe përgatitjes së qeverivë tona në kanalet teknike, diplomatike dhe politike, duke përfshirë në nivelet më të larta”.
“Ne ishim gati dhe kjo është ajo që na lejoi të vepronim brenda ditëve, jo javëve apo muajve nga përshkallëzimi i Putinit”, tha zyrtari.
“Strategjia jonë, për ta thënë thjesht, është të sigurohemi që ekonomia ruse të shkojë prapa për sa kohë që Presidenti Putin vendos të vazhdojë me pushtimin e tij në Ukrainë”, tha një zyrtar i dytë i lartë i administratës.
Në një përpjekje për të zbutur ndikimin e sanksioneve mbi konsumatorët e energjisë amerikane dhe evropiane, Departamenti i Thesarit do të përjashtojë shumicën e transaksioneve të lidhura me energjinë nga sanksionet.
Ish-ambasadori amerikan: Mbajeni shënim, Vuçiç mbajti anën e Putinit, jo Perëndimit
Ish-ambasadori i SHBA në Kosovë, Philip Kosnett me një shënim në Twitter, ka shkruar se BE-ja dhe SHBA-ja duhet të mbajë shënim qëndrimin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç në lidhje me sulmin rus në Ukrainë.
Ish-ambasadori në Prishtinë, Kosnett shkruan, se qëndrimi i Vuçiç, duke u fshehur pas kishës dhe popullit, është një qëndrim frikacaku.
‘Pra, duket se presidenti i Serbisë, Vuçiç ka zgjedhur Putinin në vend të Perëndimit – ndërsa pretendon se duart e tij janë të lidhura nga opinioni publik dhe fshihet pas Kishës. Kjo nuk është udhëheqje; është moral frikacaku. BE, SHBA ju lutem mbani shënim’, – shkruan ish-ambasadori i SHBA në Kosovë, Philip Kosnett.
Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se Rusia s’ka qenë në asnjë moment nën kërcënimin e NATO-s.
“E kemi parë Putin-in të bëjë të tilla deklarata herë pas here. Por Rusia në asnjë moment s’ka qenë nën kërcënimin e NATO-s, dhe Rusia nuk ka qenë nën kërcënimin e Ukrainës.”-tha ajo.
Më tej, sekeretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë shton se SHBA ka aftësinë të mbrohet, por presin një reagim nga Presidenti rus, Vladimir Putin.
Ky reagim nga Shtëpia e Bardhë vjen në kohën kur Presidenti Vladimir Putin vendosi në gatishmëri sistemin e mbrojtjes ndaj forcave bërthamore. syri.net
Sekretari amerikan, Antony Blinken, ka autorizuar Departamentin amerikan të Mbrojtjes që të ofrojë edhe 350 milionë dollarë shtesë asistencë ushtarake për Ukrainën, raporton Gazeta Express.
Blinken ka shkruar se asistenca është për ta ndihmuar Ukrainën ta mbrojë veten nga lufta e pajustifikuar e Rusisë.
“Sot autorizova Departamentin e Mbrojtjes për të ofruar 350 milionë dollarë shtesë në ndihmë të menjëhershme ushtarake për Ukrainën për të ndihmuar në mbrojtjen e saj nga lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë. Të bashkuar me Ukrainën”, ka shkruar Blinken.
Forcat ruse kanë avancuar drejt kryeqytetit ukrainas, Kiev, teksa lufta ka hyrë në ditën e tretë. Autoritetet ukrainase kanë thënë se Kievi po goditet me artileri dhe raketa, teksa presidenti Volodymyr Zelenskyi është zotuar se do ta mbrojnë vendin.
Diaspora ukrainase protestoi anë e mbanë botës, kundër agresionit rus në Ukrainë. Shumë protestues i bënë thirrje Perëndimit të mbështeste më shumë Ukrainën, ndërsa bënin thirrje për ndalimin e luftimeve.
E gjithë bota reagoi kundër agresionit rus në Ukrainë.
Me thirrjet “ Ndalni luftën!”, “Stop Rusisë” mijëra banorë dolën në protestë në sheshin “Time Square” në Nju Jork.
Qyteti i Nju Jorkut është shtëpia e më shumë se 150 mijë qytetarëve ukrainas, e shumë prej tyre me lot në sy bënin thirrje për ndalimin e luftës.
“Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë tmerrin dhe tronditjen, edhe pse kishim paralajmërime për javë të tëra”, thotë Katerina Belyaeva, shtetase ukrainase.
Disa javë para sulmit, Bjellorusia lejoi trupat ruse në tokën e saj, duke krijuar kështu një rrugë për të sulmuar fqinjin e saj jugor, Ukrainën, nga veriu.
“Ndjehem shumë e turpëruar që vendi im e mbështeti këtë regjim dhe këtë agresion. Dhe ndihem shumë e turpëruar që njerëzit e vendit tim e bëjnë këtë, ata po vrasin ukrainasit”, thotë Sasha Vasilyeva nga Bjellorusia.
Një grup protestuesish në kryeqytetin amerikan, Uashington, në rrugën para ambasadës ruse shkruajtën: Vrasës! Disa mbanin në duar pankarta ku thuhej: “Duart larg Ukrainës”.
Protestuesit në Toronto të Kanadasë teksa valëvitën flamuj ukrainas kërkuan sanksione më të ashpra ndaj Rusisë.
“Familja ime është atje në Ukrainë, të gjithë miqtë e mi janë atje në Ukrainë. Unë jam vetëm, nuk kam fjalë. Unë nuk e dua këtë luftë, askush nuk dëshiron” thotë Artem, një student nga Ukraina.
Protesta të ngjashme u mbajtën edhe në shumë kryeqytete europiane. Protestues të diasporës ukrainase në Paris u shprehën të zhgënjyer nga reagimi i Perëndimit.
“Unë prisja një reagim më të fortë nga Shtetet e Bashkuara ose nga Bashkimi Evropian. Sigurisht ne presim një ndihmë, ose të paktën një mbështetje më efikase sepse ka filluar të jetë e vështirë, ka filluar të bëhet më e vështirë”, thotë Oksana, një ish-mësuese në Ukrainë.
Në Romë, Koloseu mori ngjyrat e flamurit Ukrainës, në shenjë mbështetjeje për vendin i cili është nën agresionin ushtarak rus.
VOAL – Presidenti amerikan Joe Biden do të emërojë Ketanji Brown Jackson në Gjykatën e Lartë. Raportuan stacioni televiziv CNN dhe agjencia e lajmeve Associated Press.
Ketanji Brown Jackson është gruaja e parë afrikano-amerikane që përmendet në mesin e “burrave të mençur”; 51 vjeçe, aktualisht ndodhet në Gjykatën e Apelit të Uashingtonit.
Me emërimin e Jackson, Biden përmbush premtimin e tij zgjedhor për të emëruar një grua afrikano-amerikane dhe për të diversifikuar më tej Gjykatën e Lartë, e cila për dy shekuj përbëhej vetëm nga burra të bardhë.
Jackson, nëse konfirmohet nga Senati, do të jetë gruaja e gjashtë që do të ulet në mesin e të urtëve dhe, ndonëse nuk ndryshon bilancin e votimit (ai zëvendëson Stephen Breyer, të nominuar nga Bill Clinton), do të sjellë numrin e grave që aktualisht përbëjnë Corte. së bashku me Amy Coney Barrett, Elena Kagan dhe Sonia Sotomayor. rsi-eb
Ish-Presidenti amerikan George Bush ka reaguar pas fillimit të invazionit rus në Ukrainë, duke e quajtur presidentin Putin autoritar dhe bullizues që s’duhet toleruar.
George Bush ka thënë se Ukraina është shtet mik i ShBA-së dhe meriton mbështetjen e plotë gjatë kësaj kohe të vështirë.
“Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës përbën krizën më të rëndë të sigurisë në kontinentin evropian që nga Lufta e Dytë Botërore. Unë i bashkohem komunitetit ndërkombëtar në dënimin e pushtimit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Vladimir Putin. Qeveria dhe populli amerikan duhet të solidarizohen me Ukrainën dhe popullin ukrainas, derisa ata kërkojnë lirinë dhe të drejtën për të zgjedhur të ardhmen e tyre. Ne nuk mund të tolerojmë bullizmin autoritar dhe rrezikun që paraqet Putin. Ukraina është miku dhe aleati ynë demokratik dhe meriton mbështetjen tonë të plotë gjatë kësaj kohe të vështirë”, ka deklaruar Bush. syri.net
Shanset për një zgjidhje diplomatike të krizës në Ukrainë u ngushtuan pasi Shtetet e Bashkuara thanë se një takim midis Presidentit Joe Biden dhe Presidentit rus, Vladimir Putin nuk do të jetë i mundur pas agresioneve të fundit të Moskës.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, u tha gazetarëve më 22 shkurt se një takim i propozuar i dy liderëve është jashtë tavolinës për momentin pas vendimit të Putinit për të njohur dy rajone separatiste në Ukrainë si shtete të pavarura dhe për të dërguar trupa atje.
Psaki nuk e përjashtoi një takim eventual të të dyve, por ajo tha se Biden nuk do të takohej me presidentin rus nëse Rusia nuk shtensionon situatën në Ukrainë duke tërhequr trupat e saj.
“Ne kurrë nuk do ta mbyllim plotësisht derën e diplomacisë,” u tha ajo gazetarëve.
Megjithatë, ajo shtoi se “diplomacia nuk mund të ketë sukses nëse Rusia nuk ndryshon kursin”.
Kjo erdhi disa orë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se kishte anuluar një takim me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov që ishte planifikuar të mbahej në fund të kësaj jave.
“Tani që ne shohim se pushtimi po fillon dhe Rusia e ka bërë të qartë refuzimin e saj të plotë të diplomacisë, nuk ka kuptim të vazhdohet me atë takim në këtë moment,” tha Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me Ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
Pavarësisht veprimeve të tij kundër Ukrainës, Putin më 23 shkurt tha se vendi i tij ishte ende gati të kërkonte “zgjidhje diplomatike” për krizën, por ai shtoi se interesat e Rusisë nuk ishin të negociueshme.
“Interesat e Rusisë, siguria e qytetarëve tanë , janë të panegociueshme për ne,” tha Putin në një fjalim.
Më shumë vende perëndimore vendosën sanksione ndaj Rusisë, pas Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Britanisë në përpjekje për të ndëshkuar Moskën për veprimet e saj në Ukrainë.
Më 21 shkurt, Putin nënshkroi dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste, Luhansk dhe Donjeck.
Dy republikat e vetëshpallura popullore kontrollohen nga separatistët pro-rusë, të cilët luftojnë kundër forcave ukrainase qysh në vitin 2014.
Putin i urdhëroi trupat ruse që të kryejnë, siç tha ai, “funksione paqeruajtëse” në të dyja rajonet.
Kriza aktuale ka nisur në fund të vitit të kaluar, kur Rusia ka filluar të grumbullojë trupa në kufi me Ukrainën.
Rusia, prej kohësh, ka kundërshtuar lëvizjen e Ukrainës drejt institucioneve të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.
Ajo ka kërkuar garanci nga NATO-ja se do të ndalojë zgjerimin drejt lindjes. SHBA-ja dhe NATO-ja kanë refuzuar kërkesën ruse, por kanë ofruar rrugë diplomatike për zgjidhjen e krizës.
Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, por ajo ka qenë “vend partner” i saj qysh më 2008 – vitin kur ka aplikuar për Planin e Veprimit për Anëtarësim. Kjo do të thotë se asaj mund t’i lejohet anëtarësimi në aleancë në të ardhmen.
Putin tha më 21 shkurt se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të paraqiste rrezik për sigurinë ruse.
Presidenti Joe Biden njoftoi të martën se Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione të rënda financiare ndaj bankave ruse, oligarkëve rusë dhe familjarëve të tyre, duke deklaruar se Moska ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin ndërkombëtar duke sulmuar Ukrainën.
Sanksionet përfshijnë jo vetëm bankat ruse, por edhe borxhin sovran të Rusisë.
Sanksionet do të zbatohen ndaj bankës VEB dhe ndaj Promsvyazbank, e cila shërben si banka e ushtrisë ruse dhe kryen transaksionet në fushën e mbrojtjes. Nga dita e mërkurë, sanksionet do të fillojnë edhe ndaj elitave ruse dhe familjarëve të tyre.
Presidenti Biden tha se një goditje e tillë ndaj borxhit sovran të Rusisë, do të thotë se praktikisht Rusisë do t’i ndërpritet financimi perëndimor.
“Askush prej nesh nuk do të mashtrohet” nga pretendimet e Presidentit rus Vladimir Putin për Ukrainën, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara duke folur nga Shtëpia e Bardhë. Ai tha se këto janë vetëm “transheja e parë” e sanksioneve që Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate janë të përgatitura për të vendosur nëse Rusia bën një sulm më të gjerë ndaj Ukrainës.
“Ai po krijon një racionalitet për të marrë më shumë territore me forcë”, tha Presidenti Biden për komentet më të fundit të Presidentit rus Vladimir Putin. “Ky është fillimi i një sulmi rus ndaj Ukrainës”.
Presidenti Biden tha se po autorizon gjithashtu dislokimin e forcave amerikane drejt vendeve balltike në krahun lindor të NATO-s pranë kufirit me Rusinë, në shenjë solidariteti përballë rrezikut rus.
Presidenti Biden i bashkohet 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilët ranë dakort të martën të vendosin sanksionet e tyre të para ndaj zyrtarëve rusë, për shkak të veprimeve të tyre ndaj Ukrainës.
Komisioni i Rithemelimit i është përgjigjur ambasadores amerikane Yuri Kim. Diplomatja iu drejtua sot me disa pyetje kandidatëve të zgjedhjeve të 6 marsit, duke iu thënë se çfarë iu ofrojnë votuesve nëse sponsori i tyre është i sanksionuar për korrupsion nga SHBA.
Komisioni i Rithemelimit i kërkon ambasadores të tërhiqet nga kjo deklaratë duke e cilësuar si ndërhyrje në procesin zgjedhor.
Deklarata e plotë:
Ndërkohë që fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit ka nisur zyrtarisht, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka bërë sot në Twitter ndërhyrjen e saj të radhës, në shkelje flagrante të ligjeve dhe Kushtetutës se vendit, në mbështetje narkoqeverisë së Tiranes. Ajo, defacto, ju ka bërë thirrje zgjedhësve se për kë duhet të votojnë.
Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, denoncon deklarata të tilla politike nga përfaqësues të huaj gjatë fushatave elektorale. Komisioni I konsideron ato si ndërhyrje të palejueshme, të papranueshme, e të njëanshme në procesin zgjedhor, në rastin konkret në favor të qeverisë më të korruptuar të Europes.
Mbi të gjitha, kjo deklaratë është në kundërshtim të plotë me Nenin 41 të Konventës së Vienës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe Protokollet Opsionale, nënshkruar në vitin 1961 në të cilën edhe Shqipëria është palë. Neni 41 pika 1 thotë shprehimisht: “Pa paragjykuar privilegjet dhe imunitetet e tyre, është detyrë e çdo personi që gëzon këto privilegje dhe imunitete të respektojë ligjet dhe rregullat e shtetit pritës. Ata gjithashtu nuk kanë të drejtë të përzien në çështjet e brendshme të atij Shteti.”
Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike thekson se shqiptarët hedhin poshtë luftën me lobingje korruptive dhe pa fakte kundër korrupsionit si nji praktikë që ndihmon korrupsionin.
Komisioni i kërkon Ambasadores Yuri Kim tërheqjen e kësaj deklarate e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, për respektimin e të cilit, partitë politike në Shqipëri, janë të angazhuara.
Komisioni dënon cdo ndërhyrje në procesin zgjedhor, për më tepër kur qëllimi final është mbështetja për qeverinë më të korruptuar të Europës, që cdo ditë largon shqiptarët nga vendi i tyre, dhe sponsorizimi i një opozite fasade misioni i vetëm i se cilës është vrasja e shpresës duke bërë pazare me qeverinë.
Së fundi, Komisioni deklaron se sponsorizuesi dhe llogarimarrësi i vetëm i kandidatëve të “Shtëpise së Lirisë” është populli opozitar që refuzon të pranojë se alternativa e vetme ndaj Edi Rames është bari që ofron znj. Kim.
Është ky popull që i perzgjodhi këta kandidatë dhe po ai do t’i votojë. Nesër, kur ata të jenë fitues, detyrimi i vetëm i tyre nuk do jete as ndaj liderëve politike dhe aq me pak ndaj diplomatëve në shërbimin e Edi Ramës, por vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë!
Ardian Murraj: E Hëna e tretë e muajit Shkurt në SHBA njihet si “Dita e Presidentëve” dhe është një festë zyrtare kombëtare. Nga njohja juaj kur u vendos ajo dhe çfarë i bën kjo ditë bashkëkombasit të mendojnë dhe mënyrën se si ta kujtojnë dhe ta festojnë atë?
Aristotel Mici: – “Dita e Presidentëve” në Amerikë ka filluar të festohet që nga viti 1885 dhe është vendosur e Hëna e tretë e Shkurtit që koincidon me datëlindjet e dy persidentëve të mëdhenj të Amerikës. E presidentit George Washington (22 Shkurti) dhe Abraham Lincoln (12 Shkurti) dhe midis këtyre dy datave zgjidhet dita e Hënë si Dita e Presidentëve. Kjo është festë në mbarë Amerikën dhe një ditë simbolike sepse të gjithë presidentët e e zgjedhur nga populli dhe përfaqësojnë vullnetin dhe sovranitetin e popullit.
Ardian Murraj: – Ju e nisët si një referat gati 12 vjet më parë këtë temë dhe më pas arritët të botonit një libër. Pra në këtë kërkim arkivor materialesh dhe kurreshtar që keni grumbulluar si mund t’i ndani ato si elementë dhe të dhëna të shkencës së historisë për njohje?
Aristotel Mici: – Lidhur me “Ditën e Presidentit”, unë kisha disa ngacmime të karakterit shkollor dhe historik për të njohur më shumë vendin dhe për të qenë qytetar të Amerikës me një lloj formimi për vendin ku jetojmë. Kështu nga leksionet e dëgjuara dhe librat e lexuar arrita të konceptoj disa nga personalitetet e mëdha të historisë së Amerikës dhe të zgjedh katër presidentët për të cilët mblodha materialet dhe botova librin “Presidentët Amerikanë në Monumentin e Malit Rushmore”, ku jepen katër portrete presidentësh. Kjo nuk është një zgjedhje e imja, por është zgjedhja e vetë popullit amerikan, artistëve amerikanë dhe ndërgjegjja e historisë amerikane bëri që këta te katër presidentë të lartësohen ne një monument madhështor, ndoshta më i larti në botë në shtetin e South Dakota-s, në një mal 1745 metra të lartë. Atje ngrihen portretet e katër presidentëve ku sejcili prej tyre ka një bust me lartësi 18 metra. Karakteristike për t’u treguar është se mali ku janë gdhendur ata është prej graniti që nuk dëmtohet nga rreshjet dhe errozioni, dielli dhe era. Skulptori i njohur Gutzon Borglum (me një grup prej 400 gur gdhendësish punoi nga viti 1927-1941). Presidenti i kohës Calvin Coolidge e cilësoi këtë vepër si një vend të shenjtë dhe altar. Ky vend vizitohet nga miliona njerëz amerikanë dhe nga vende të tjera të botës. Vizita atje të njeh me katër kolona të historisë së SHBA-së . Presidentin (1-rë) George Washington (1732-1799) që sa ishte gjallë u quajt “Ati i kombit të vet”. Presidenti (3-të) Thomas Jefferson (1743-1826) që ishte autori i Deklaratës së Pavarësisë. Presidenti (16-të) Abraham Lincoln (1809-1865) i cili shpëtoi unionin e 50 shteteve nga përçarja dhe shkëputja. Presidenti (26-të) Theodore Roosevelt (1858-1919) një nga reformatorët e Amerikës i cili deklaroi se SHBA nuk është vetëm një fuqi kontinentale, por është një fuqi botërore.
Në vijim shkrimi i studiuesit Aristotel Mici
Presidenti Washington dhe Revolucioni Amerikan
Portret historik
Për gjithë meritat e tij prej strategu, ligjvënësi, dhe udhëheqësi vizionar, Presidenti Washington u quajt që me gjalljen e tij “Ati i kombit të vet”.
George Washington, Presidenti i parë i Amerikës, lindi më 22 shkurt të vitit 1732 në Mount Vernon, të Virginia-s. Prindërit e tij qenë latifondistë të pasur që zotëronin plantacione të gjëra tokash. Kur ishte njëmbëdhjetë vjeç i vdiq i ati . Atëherë ai u mbështet për ecurinë e tij mësimore dhe edukative tek i vëllai i madh (nga babai), Laurenci, i cili ishte një oficer i kulturuar. George Washingtoni e kishte figurë ideale të vëllanë dhe e imitonte atë; ndiqte këshillat dhe mësimet e tij. Ai ishte krenar për të. Washingtoni e kishte shpresë të vëllanë, po ai nuk ishte mirë me shëndet se vuante nga tuberkulozi. Kur Laurenci do të shkonte në ishullin Barbados (zona e Karaibeve) për kurim klimatik, me 1751, Washingtoni e shoqëroi atë, duke shpresuar ashtu se klima e ngrohtë do t`ia përmirësonte shëndetin. Po nuk qe fat. Laurenci vdiq një vit më vonë, me 1752. Mbas kësaj ngjarjeje të hidhur mbështetja kryesore e djaloshit të ri, do të bëhej e ëma. Mary Washington, që ishte një grua autoritare dhe serioze. Kur Washingtoni deshte të shkonte në shkollën e Marinës, ajo nuk ia aprovoi atë dëshirë. Dhe më vonë, kur i biri, ëndërronte për të vajtur për studime në Angli, ajo përsëri u bë pengesë, duke i kujtuar fermën që duhej të administronte. Sidoqoftë ai e bëri një shkollë. George Washingtoni ndoqi një kurs special në kolegjin shumë të njohur për atë kohë “William and Mary”, që ndodhej në Williamsburg të Virginias. Atje, në atë kolegj ai u diplomua si topograf dhe kontrollor tokash. Ndërkohë, qysh në rininë e parë, Washingtoni po dallohej edhe për aftësitë ushtarake. Në moshën njëzet e një vjeçare ai fitoi gradën e majorit. Në praktikën e përditshme Washingtoni po dukej gjithnjë e më shumë si një ushtarak i talentuar. Guvernatori i Virginias, i cili i kishte parë prirjet e tij , të shkathta prej oficeri, e thirri dhe i tha se do ta bënte komandant të ushtrisë për gjithë Virginian. George Washington e pranoi atë detyrë. Ishte viti 1755. Atëherë ai ishte vetëm 23 vjeç.
Më 1758 Washington-i njihet me një vejushe të re, Martha Kustis. Ajo ishte 25 vjeçe dhe kishte dy fëmijë. Washingtoni ra në dashuri dhe u martua me të.
Në atë kohë, në mes të shekullit XVIII, Anglia kishte 13 koloni në Amerikën e Veriut. Njerëzit që jetonin nëper koloni quheshin kolonistë. Ata përgjithesisht ishin me origjinë angleze, irlandeze, holandeze, por kishte edhe nga nacionalitete të tjera.
Qeveritarët anglezë i detyronin kolonistët (banorët e kolonive) të paguanin taksa të ndryshme. Ndërkohë kolonistët nuk kishin përfaqësitë e tyre në qeverisjen e vendit. Kjo ishte një padrejtësi që kolonistët nuk po e duronin dot më. Mbreti i Anglisë, George i Tretë, nuk po i merrte parasysh kërkesat e kolonistëve. Ai qe i vendosur që kolonistët t`i bindeshin dhe të paguanin taksa vazhdimisht pa kundërshtim. Populli i të 13 Kolonive Britanike po zjente atëherë nga shpirti i revoltës kundër sundimit shfrytëzues të Mbrtërsë së Anglisë. Gjithë banorët e kolonive po përqafonin gjithnjë e më shumë sloganin: “No taxation Without Representatives”, që do të thoshte “jo taksa pa përfaqësuesit tanë”. (No taxation without representation. Jo taksim pa përfaqësim)
Ndërkohë, pas Paqes së Parisit të vitit 1763, në banorët e kolonive qe zgjuar edhe ndjenja e kombëtarisë. Kolonistët kishin filluar ta quanin veten jo “englezë”, po “englezo-amerikanë”, ose vetëm amerikanë. Ishte koha kur qenë krijuar organizatat patriotike si “The sons of Liberty” dhe “Daughter of Liberty”, kur po dalloheshin mendimtarë e aktivistë të shquar si George Washingtoni, Patrik Henry, Samuel Adams, John Adams, ThomasJefferson e të tjerë. Në këtë kohë Patrick Henry do të deklaronte trimërisht në sallën e përfaqësuesve të Virginias: “Give me liberty or give me the death” (më jep lirinë, ose më jep vdekjen), e thënë shkurt shqip, thirrje për “Liri a vdekje”.
Nga dita në ditë atmosfera revolucionare po bëhej gjithnjë e më shpërthyese në të gjitha kolonitë Britanike të Amerikës së Veriut. Shenja e parë e rëndësishme e stuhisë revolucionare ishte Masakra e Bostonit, më 5 Mars,1770. Këtë ditë mijëra bostonianë dolën në revoltë popullore kundër sundueve anglezë. Ata ecnin duke hedhur parulla protestuese. Ushtarët britanikë, të pazotë për ta frenuar turmën e revoltuar, hapën zjarr mbi popull. Nga të shtënat u vranë pesë protestues dhe u plagosën me dhjetra të tjerë Kjo ngjarje e përgjakshme bëri bujë dhe jehona e saj u ndje në të gjitha kolonitë. Masakra e Bostonit u bë preludi i Revolucionit Amerikan.
Me këte rast duhet të kujtojmë se ushtarët që qëlluan me armë zjarri mbi demonstruesit, si edhe ata që dhanë urdhërin, u akuzuan dhe dolën para gjyqit. Qeveria nuk ndërhyri te gjyqësori për këtë çështje; dhe e treta gjë, që mbahet mend, është se avokati mbrojtës për të pandehurit, do të ishte John Adams, një nga ideatorët e Revolucionit Amerikan, i cili do të zgjidhej pas Washington-it, Presidenti i Dytë i Amerikës.
Tre vjet më vonë, më 16 Dhjetor, 1973, një grup patriotësh, të maskuar me veshje si indianë indigjenë, u futën në anijet e ngarkuara me pako të mëdha çaji, të cilat i hodhën në det në gjirin e Bostonit . Për këtë aksion patriotik antiqeveritar, juristi John Adams, do të shprehej: “This is the most magnificent movement of all”. (Kjo është lëvizja më madhështore nga të gjithat).
Pastaj, pas dy vjetësh, në Prill 1775, shpërtheu beteja e Lexington-it, që u bë fillimi i pandalshëm i revolucionit Amerikan që po ndizej në të gjitha kolonitë Britanike.
Atëherë, në këto rrethana revolte dhe proteste masive, u mblodh në fshehtësi dhe në mënyrë shumë sekrete Kongresi Kontinental Amerikan, që filloi më 5 shtator 1774. Ky kongrese qysh në mbledhjen e tij të parë diskutoi për çështjen e pavarësisë së kolonive, por ende nuk vendosi të shpallte menjëherë luftë për independencë. Megjithatë, kjo luftë dukej se ishte e pashmangshme. Kolonistët tashmë e dinin se nuk kishin ç`të prisnin më nga Anglia.
Në mbledhjen e tij të dytë, më 15 Qershor 1775, Kongresi Amerikan, duke shqyrtuar për organizimin dhe drejtimin e një ushtrie, që të përballonte luftën me Mbretërinë e Anglisë, vendosi që të zgjidhte edhe komandantin e përgjithshëm të kësaj ushtrie. Kongresi aprovoi propozimin e juristit të njohur, John Adams, i cili sugjeroi që George Washingtoni të emërohej komandant i përgjithshëm i ushtrisë Amerikane. Këtë detyrë ai e filloi më 2 korrik 1775 në shtetin e Massachusettsit. Që këtej Washingtoni do të niste marrshimin e tij triumfal për Pavarësinë e Amerikës. Do të ishte ky komandanti i famshëm, që si një strateg i talentuar, që njihte artin ushtarak të kohës, do të udhehiqte ushtrinë e Revolucionit Amerikan në tërë ato beteja fitimtare.
Pas gati një vit luftimesh, që nga koha kur George Washingtoni mori detyrën e kryekomandantit, Kongresi Amerikan më 4 Korrik 1776, do të shpallte Deklaratën e Pavarësisë. Ky lajm i shumëpritur u bë publik në sheshin para godinës shtetërore të Filadelfias më datën 8 korrik. Atë ditë Korriku një kambanë e madhe buçiti. (The Big Bell rang). Ajo kambanë, që peshon 943-kilogram, e ka gjuhëzën e saj prej me shumë se 22 kilogram. Me buçitjet e saj kambana mblodhi në shesh me dhjetra e mijëra njerëz për të dëgjuar fjalët e Deklaratës së Pavarësisë. Ideatori dhe hartuesi kryesor i kësaj Deklarate ishte Thomas Jefferson, i cili u quajt “Ati i Deklaratës se Pavarësisë”
Firmëtari i parë i këtij dokumenti historik qe presidenti i Kongresit Kontinental, John Hancock, i cili e shkroi emrin e vet me shkronja të zmadhuara, duke thënë: “I guess King George will be able to read that” (“Unë e marr me mend se mbreti George do të arrijë ta lexoj këtë”).
Në pjesën e parë Deklarata konfirmonte se njerëzit janë të barabartë para ligjit. Në pjesën e dytë flitet për qëndrimin kritik ndaj mbretit të Anglisë, George i Tretë, i cili pat abuzuar me pushtetin dhe se kolonistët kishin të drejtë të rebeloheshin ndaj regjimit të tij. Dhe, në pjesën e tretë të këtij dokumenti historik deklarohej se kolonitë Britanike shpalleshin tani e përgjithëmonë “The United States of America” (Shtetet e Bashkuara të Amerikës)
I mbështetur në parimet e Deklaratës së Pavarësisë, George Washington-i do të udhëhiqte me trimëri e zgjuarsinë e një strategu të vërtetë ushtrinë revolucionare të Amerikës në sa e sa beteja të përgjakshme, duke nisur që nga beteja famshme e Saratogës, te Long Island, Princeton, Trenton e deri te beteja e Yorktown-it, më 19 Tetor 1781. Këtë ditë gjenerali anglez Lord Cornwallis me gjithë ushtrinë e tij prej 7,200 trupash iu dorëzua Komandës së Gjeneral Washington-it. Dy ditë pas kësaj ngjarjeje banda e ushtrisë britanike do të këndonte këngën:
“The World turned upside down” që do të thotë se bota u kthye përmbys.
Me këtë betejë do të mbyllej epopeja heroike e popullit Amerikan për pavarësi.
Kështu në kontinentin e Amerikës së Veriut u krijua një shtet i ri, dhe një komb i ri.
Ky shtet i ri do të njihej botërish, mbas shtatë vjet luftimesh, prej të gjitha vendeve, më datën 3 shtator, 1783, në bazë të vendimeve të Traktatit të Paqes, që u mbajt në Paris midis Mbretërisë së Anglisë dhe ShBA-së.
Revolucioni Amerikan doli vërtetë fitimtar, por vendi nuk po qeverisej ende nga një kushtetutë e kompletuar. Në të vërtetë të trembëdhjetë Shtetet e Amerikës qenë marrë vesh që të administroheshin nga një dokument i titulluar “Artikuj të Konfederatës” (The Articles of Confederation), që ishin në thelb vazhdimi i orientimeve të Kongresit të Dytë Kontinental.
Koha po kërkonte që Amerika të udhëhiqej nga një kushtetutë më e studjuar. Revolucionarët amerikanë progresivë e dinin që fitorja kundër anglezeve ishte vetëm fillimi. Ruajtja e fitores dhe forcimi i pushtetit qendror ishin shumë të rëndësishme. Lidhur me këtë problem midis ligjvënësve amerikanë lindi një debat i ashpër. Ishin krijuar dy grupe. Ata që kërkonin forcimin e pushtetit qendror, pra, qevrinë e gjithë kombit, quheshin Federalistë. Midis tyre ishin Washington-i, Hamilton-i, Medison-i, James Willson.
Aleksandër Hamilton, që kishte punuar për një kohë të gjatë si sekretar personal i Washington-it, e shprehte hapur mospëlqimin e tij për “Artikujt e Konfederatës”. “Kombi, shkruante ai, është si një i sëmurë, dhe që të shërohet do një ilaç të fortë dhe ky ilaç qartësonte ai, është një qeverisje e fortë nacionale”. Kurse ata që nuk donin një qeveri të fortë nacionale, por një qeveri të fortë të shteteve të veçanta, u quajtën Antifederalistë. Këta të fundit nuk e donin një qeveri qendrore federative të fortë, sepse, sipas tyre, një qeveri e tillë fuqiplotë do të zëvendësonte tiraninë britanike me një tjetër qeveri të fuqishme. Midis opzitarëve antifederalistë, që nuk donin ratifikimin e kushtetutës ishte edhe revolucionari ardent i orëve të para të Revolucionit Amerikan, Patrick Henry, që arsyetonte se kështu me një qeveri qendrore të fortë “presidenti bëhet një zyrtar shumë i lartë, i cili fare lehtësisht kthehet në mbret”. Pra, midis 13 Shteteve të Bashkuara të Amerikës egzistonte një konfuzion politik përsa i përkiste administrimit shtetëror.
Në një atmosferë të tillë plot me debate dhe kundërshtime të ndërsjellta, në verën e vitit 1787 mblidhet në Filadelfia Konventa Konstitucionale. Delegati brilant i kësaj konvente do të ishte Xhejmes Medison… Ai ishte më i riu , por më i përgatituri, më i kulturuari, më profesionali për gjithë çështjet konstitucionale. Ai do të ishte hartuesi kryesor i kushtetutës së re Amerikane, prandaj do të quhej nga të gjithë si “Ati i Kushtetutës”.
Megjithë mesazhet dhe informacionet juridike që jepte me shumë mençuri Medison-i, mosmarrëveshjet nuk qenë sheshuar. Më në fund, delegati i shtetit Konektikat Roger Sherman propozoi kompromisin e tij të famshëm, që gjeti konsensus nga shumica. Në bazë të ketij kompromisi gjithë shtetet do të përfaqësoheshin në kongrese në mënyrë të barabartë, duke pasur në Senat nga dy senatorë secili, kurse popujt e shteteve do të zgjidhnin përfaqësuesit e tyre për në Dhomën e Përfaqësuesve të popullit sipas sasisë së banorëve në mënyrë proporcionale.
Si përfundim, pas shumë debatesh dhe polemikash Kushtetuta qe hartuar dhe më 17 shtator të vitit 1787 ishte gati për t`u firmosur nga delegatët e pranishëm të shteteve. Shteti i Delaware-it e firmosi i pari Kushtetutën e re, më 7 dhjetor 1787. Të fundit e firmosën delegatët e shtetit Rhode Island, në Majin e vitit 1790.
***
Ishte e qartë për të gjithë se figura qendrore në Amerikë si gjatë Revolucionit, dhe në vitet pas tij, qe ajo e George Washington-it. Ai e kishte fituar dashurinë e popullit me trimërinë, zgjuarsinë dhe modestinë e tij. Pse e themi edhe me modestinë e tij? Së pari këtë anë të figurës së tij e tregojnë biografët: kur Kongresi Kontinental Amerikan e propozoi Washington-in si komandant të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, ai me modesti u deklaroi të pranishmeve: “Unë nuk e ndjej veten të zot për detyrën e komandantit”. Por Kongresi ishte i vendosur që atë funksion do t`ia besonte vetëm atij. Atëherë, me sinqeritetin e tij Washingtoni iu drejtua përsëri Kongresit, duke pohuar se po e pranonte detyrën e komandantit të përgjithshëm, po nuk pranonte të paguhej për atë shërbim në ushtrinë e revolucionit.
Një vit para se të përfundonte lufta kundër kolonizatorëve britanikë, një kolonel i ushtrisë së tij tha midis të tjerave:” Amerika e çliruar duhet të bëhet monarki me Washington-in mbret”. Ndërsa Washington-i i dha atij me një herë një përgjigje kundërshtuese: “………ju kurrë nuk mund të gjeni një person tjetër më mos pranues se sa unë për këtë ide”.
Washingtoni kishte fituar admirimin e gjithë popullit amerikan. Një gjeneral, bashkëluftëtar i kohës së tij, ka shkruar në kujtimet e e veta se “George Washington-i ishte i pari në luftë, i pari në kohë paqeje, i pari edhe në zemrat e bashkëqytetarëve”. Mirëpo siç thonë biografët, pas mbarimit të luftimeve Washington-i e ndjente veten të lodhur dhe nuk kishte synime për të marrë përsipër detyra të larta shtetërore. Diku në biografinë e tij shkruhet se kur ikën ushtarët e fundit anglezë nga Amerika dhe vendi qe çliruar përfundimisht nga sundimi i mbretit të Anglisë, Washington-i u tha bashkëluftëtarëve në një mbledhje të posaçme: “Ju e shikoni se si më janë bërë gri flokët nga thinjat në luftime. Shikimi më është dobësuar. Tani unë jam duke e zbritur kodrën, jam 52 vjeç. Tani unë dua të shkoj në shtëpinë time”. Deshte të çlodhej. Dhe vërtetë ai vajti në shtëpinë e tij, në Mount Vernon, në fermën e vet, ku e priste familja. Po nuk kishin kaluar dhe aq shumë ditë që kur Washington-i, pat mbrrijtur atje, kur i vjen pa pritur një letër nga shokët e tij prej Philadelphia-s.
“ Lexoma, ti Martha,” i tha së shoqes.
“Shokët e tu janë mbledhur për të bërë ligjet në një kuvend, po ata të kërkojnë ty që të jesh në krye – foli Martha duke lexuar letrën me kujdes.
“Unë kam nevojë të rri këtu në fermë”, tha ai sapo dëgjoi ato fjalë të Marthës.
“Ndërsa vendi ka nevojë për ty” ia ktheu ajo, duke buzëqeshur. Atëherë Washingtoni mori rrugën ende i paqetësuar, dhe shkoi në mbledhjen e Philadelphia-s. ku delegatët e zgjodhën President të Konventës Konstitucionale.
Për meritat e tij të larta gjatë luftës si gjeneral i shkëlqyer si edhe për përkushtimin ndaj popullit, Kongresi e zgjodhi Washington-in në mënyrë unanime Presidentin e Parë të ShBA-së më 30 Prill të vitit 1789. Washington-i qe futur thellë në zemrën e popullit, qe bërë pjesë e ndërgjegjes së popullit dhe kombit të ri Amerikan. Ai u zgjodh president edhe për katër vjetet e legjislaturës se dytë. Po kur i propozuan Washington-it edhe për radhën e tretë, ai jo vetëm nuk pranoi, po la edhe një porosi që … “asnjë president të mos zgjidhej më shumë se dy herë radhazi”. Kjo këshillë e tij u pranua dhe u bë ligj e normë morale në politikën amerikane. Ky është një shembull i shkëlqyer nga i cili mund të mësojnë gjithë presidentët e botës, dhe gjithë kryetarët e qeverive . Ky orientim i Presidentit të Parë të Amerikës fliste për gjykim e tij visionar lidhur me të ardhmen e Amerikës, që do të kishte rëndësi të posaçme për jetën politike dhe konstitucionale, që shmang kultin e individit si edhe autoritarizmin e liderit, gjoja, “të pazëvendësueshëm”
***
George Washington-i, që u shqua si një strateg i Revolucionit Amerikan dhe drejtues i sigurt i jetës së vendit, ishte edhe një diplomat largpamës. Biografët e tij shkruajnë se ai qe edhe një vizionar i mprehtë në arenën diplomatike. Filozofia e tij në fushën e politikës së jashtme ishte ajo e ekuilibrit të Amerikës. Në atë kohë ai kishte mendimin që të evitoheshin aleancat ushtarake dhe veprimet luftarake që nuk kishin të bënin me zhvillimin e vendit. Gjithë energjitë dhe resurset e Amerikës duhet të përdoreshin për fuqizimin e Amerikës, për forcimin e ekonomisë së saj.
Në kohën e presidencës së Washington-it lindi një mosmarreveshje lidhur me politikën e jashtme. Konkretisht, në një konflikt anglo-francez, Thomas Jeffersoni kërkonte që SHBA të mbështeste Francën e të merrte anën e saj, kurse Alexander Hamilton këmbengulte që Amerika të mbështeste Anglinë e të anonte nga Anglia. Në këto momente kritike dhe delikate për shtetin e ri Amerikan, u desh gjykimi largpamës i Presidentit Washington, që mbrojti idenë e neutralitetit të Amerikës në konfliktin midis dy fuqive të mëdha ndërluftuese të kohës në Europë, Francës dhe Anglisë. Siç tregon në librin e vet Marian Leighton, me zgjuarsinë e tij diplomatike, Presidenti Washington orientoi situatën dhe politikën e jashtëme, duke theksuar se “Amerika nuk kish as miq e aleanca të përhershme dhe as armiq të përhershëm, por vetëm interesa të përhershme.”
Presidenti i parë i Amerikës, George Washington, vdiq më 14 dhjetor 1799, në Mount Vernon, në moshën 67 vjeç. Ai u nda fizikisht nga gjiri i shoqerisë Amerikane, por ngeli i gjallë e i nderuar në kujtesën e mbarë popullit, si simboli i unitetit amerikan. Mjafton të themi se kryeqyteti i SHBA-së, Wahington DC mban emrin e tij,. Ai është i vetmi president emrin e të cilit e mban një shtet në Amerikë.. Shumë rrugë, bulevarde, sheshe dhe institucione mbajnë gjithashtu emrin e tij. Për gjithë meritat e tij prej strategu , ligjvënësi dhe udhëheqësi me mendje të ndritur, George Washington-i u quajt me gjalljen e tij “Ati i kombit të vet”.
Bibliografi
Adler D, George Washington Father of Our Country NY, 1995.
Davidson J., The American Nation, MA. Prentice Hall, 1995
Hoobler Th. and D., “George Washington and Presidents` Day”, NY, 1990
Leighton M., “ GeorgeWashington”, Baronetbooks, NY, 1997.
Smith L. and Nici Mare N., Insightfor Today , Boston, 1996
Whitnay D,” The American Presidents, Bookspan, NY., 2001.
Wood G. , The American Revolution, Modern Library, NY, 2002.
Uashingtoni tha se trupat ruse të grumbulluara pranë kufirit të Ukrainës po përparonin dhe janë “gati për të goditur”.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA Lloyd Austin tha se forcat ruse po fillonin “t’i afroheshin më shumë” kufirit me ish-fqinjin e saj sovjetik.
“Shpresojmë që ai (Putini) të tërhiqet nga pragu i konfliktit,” tha zoti Austin në një konferencë shtypi në Lituani, duke thënë se një sulm ndaj Ukrainës mund të shmangej.
Rusia thotë se po i largon forcat nga kufiri por Uashingtoni dhe aleatët perëndimorë thonë se përqendrimi i trupave po rritet.
Nënpresidentja Kamala Harris tha se Shtetet e Bashkuara do të përforcojnë krahun lindor të NATO-s për të frenuar përparimin e mëtejshëm ushtarak rus, paralalisht me paralajmërimin për sanksione.
“Kufijtë kombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë,” tha zonja Harris në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
“Ne kemi përgatitur masa ekonomike që do të jenë të shpejta, të rënda dhe të koordinuara,” tha ajo. “Ne do të vëmë në shënjestër institucionet financiare dhe industritë kryesore të Rusisë.”
Por udhëheqësit perëndimorë këmbëngulin se ka ende vend për përpjekjet diplomatike.
“Historia nuk është shkruar ende: ka një rrugë tjetër që qeveria ruse mund të zgjedhë në çdo kohë,” tha Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock pas një takimi të ministrave të jashtëm perëndimorë.
“Mesazhi ynë i përbashkët për ta është shumë i qartë: Mos e bëni këtë gabim fatal. Tërhiqni trupat. Le të flasim.”
Presidenti i Ukrainës Volodymr Zelenskiy i cilu u takua me zonjën Harris në Mynih të shtunën tha se vendi i tij po kërkon “paqe”.
Ai bëri thirrje më pas në Konferencën e Mynihut se për një takim të fuqive globale për të marrë garanci të reja sigurie për Ukrainën, sepse siç tha ai sistemi aktual global është shumë i dobët.
Zoti Zelenskiy u bëri thirrje gjithashtu anëtarëve të aleancës së NATO-s që të jenë të sinqertë nëse duan apo jo që Ukraina të anëtarësohet.
I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha sot se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë dhe se bisedimet nuk kanë të bëjnë me statusin e saj.
Ai i bëri këto komente gjatë një seance dëgjimore në komitetin për marrëdhënie ndërkombëtare të Senatit Amerikan, me temën Ballkani Perëndimor: Mbështetja e paqes dhe përparimit, përgjatë së cilës tërhoqi vërejtjen te kërcënimi rus dhe kinez ndaj përparimit në rajon.
Zoti Escobar, i cili në fillim të këtij muaji ishte në Prishtinë dhe në Beograd së bashku me të dërguarin evropian, Miroslav Lajcak, tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian, që janë edhe vendi në të cilin të dyja palët, si të barabarta, duhet të punojnë për të zgjidhur dallimet dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që u duhet të dyja shteteve për të ardhmen e tyre evropiane. Kjo, tha ai, duhet të përqendrohet në njohje të ndërsjellë.
Ai i shprehu mbështetjen formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është edhe çështja më e diskutueshme në bisedimet Kosovë – Serbi.
“E mbështesim krijimin e Asociacionit për shumë arsye. E para është se për të palët janë pajtuar. Edhe pse Gjykata Kushtetuese (e Kosovës) ka thënë se disa pjesë nuk janë në përputhje me Kushtetutën, nuk ka thënë se vetë Asociacioni është jokushtetues. Në kuadër të bisedimeve, është në dorën e Kosovës dhe Serbisë që të vendosin se si do të dukej (asociacioni). Nuk duhet të jetë, dhe sigurisht ne nuk duam që të jetë i ngjashëm me Republikën Serbe, por ne i kemi bërë thirrje dhe kolegu im Lajçak i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës të shqyrtojë modelet që ata besojnë se mund të jenë të përshtatshme, që nuk do të dëmtojnë sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës”, tha ai.
I pyetur nga senatori Bob Menendez se çfarë i kërkohet Serbisë në shkëmbim të trysnisë ndaj Kosovës për asociacionin, zoti Escobar tha se “qëllimi i bisedimeve është që çdo gjë të lëvizë në të mirë të Kosovës, që të jemi të sinqertë, me rezultatin përfundimtar, njohjen e ndërsjellë. Pra nuk ka të bëjnë me statusin e Kosovës por njohjen se ajo është vend i pavarur dhe sovran”.
Zoti Escobar tha se Shtetet e Bashkuara presin nga qeveria e Kosovës “të angazhohen plotësisht në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja dhe t’i shohin ato si negociata të vërteta për të arritur qëllimin kryesor që është njohja e ndërsjellë me Serbinë, njohja nga pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën dhe anëtarësimin në të gjitha organizatat ndërkombëtare që ata duan të anëtarësohen. Kjo do të kërkojë kompromis dhe ne kemi qenë shumë të qartë. Ambasadori ynë i ri, Jeff Hovenier, e ka bërë këtë shumë të qartë gjatë takimeve të tij të para me qeverinë (e kryeministrit Albin) Kurti dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, tha ai.
Zoti Escobar tha se shtyllat e politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor janë, Evropa, NATO-ja dhe integrimi rajonal.
“Është besimi ynë se këto vende duhet të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ato janë kulturalisht, historikisht dhe ekonomikisht pjesë e Evropës dhe ne besojmë se duhet të jenë anëtarë të bllokut”, tha ai duke nënvizuar se çdo vend që është anëtar i Bashkimit Evropian është më demokratik, më i qëndrueshëm dhe më i përparuar pa asnjë kosto për të tjerët.
“Shtylla e dytë është anëtarësimi në NATO, për ata që kualifikohen për këtë dhe ato vende që nuk janë ende të interesuara për NATO-n, të jenë më të angazhuara me aleancën”, tha ai duke vënë theksin tek Serbia e cila pohon se është neutrale, por ka shtuar angazhimin me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n gjatë dy viteve të fundit.
“Dhe së fundi, është integrimi ekonomik e politik rajonal dhe prandaj mbështesim Ballkanin e Hapur, tregun e përbashkët rajonal dhe çdo program që krijon përfshirje në tregun evropian”, tha ai.
Zoti Escobar tha se përparimi rajonal kërcënohet nga ndikimi politik dhe ekonomik i Kinës dhe Rusisë, duke theksuar se Rusia shfrytëzon furnizimin me energji për të nxitur korrupsionin dhe për të penguar zhvillimin. Ajo u bën tifo etno-nacionalizmit dhe ndarjeve. Kina, tha ai, po zgjeron praninë e saj përmes kredive dhe të ashtuquajturave investime, që ai i cilësoi si “diplomaci borxhesh”.
“Çështja e varësisë nga energjia ruse nuk është problem vetëm i Ballkanit, por edhe i një pjese të konsiderueshme të Evropës. Ballkani ka edhe një problem tjetër, që është varësia e tij nga energjia e prodhuar nga qymyri. Ne kemi një strategji për sigurinë energjetike që përfshinë energjinë e ripërtërishme, gazin e lëngshëm natyror dhe rrugët alternative për furnizim me energji“, tha zoti Escobar, ndërsa theksoi se “nxitja e qeverisjes transparente, të drejtave të njeriut dhe rendit ligjor ndërkombëtar, janë në qendër të angazhimit kundër këtyre veprimeve destabilizuese” të Rusisë dhe Kinës.
Duke folur për Bosnje e Hercegovinën, zoti Escobar tha se problemi kryesor nuk është etno-nacionalizmi, por korrupsioni dhe se Bosnja është vendi i tretë më i korruptuar në Evropë.
Në fillim të vitit Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione kundër udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, për korrupsion dhe kërcënim të qëndrueshmërisë dhe tërësisë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës.
Zoti Escobar tha se synimi është që serbët të kthehen në institucionet qendrore të Bosnjës dhe që Dodikut qoftë përmes anagzhimit politik, qoftë përmes sanksioneve, t’i pamundësohet që t’i dëmtojë më tej ato institucione.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Rusia vazhdon të mbledhë trupa në kufi me Ukrainën dhe mund të nisë pushtimin në çdo moment, duke përfshirë edhe periudhën sa mbahen Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin.
Ai ka thënë se Uashingtoni vazhdon të “tërheqë” stafin e ambasadës nga Kievi dhe ka përsëritur thirrjen e Departamentit amerikan të Shtetit që shtetasit amerikanë të largohen nga ky shtet menjëherë.
“Thënë thjesht, ne vazhdojmë të shohim shenja të turbullta të përshkallëzimit rus, duke përfshirë arritjen e forcave të reja ruse në kufirin ukrainas”, ka thënë Blinken në një konferencë në qytetin Australian, Melbërn më 11 shkurt.
“Siç e kemi thënë më parë, ne mund të përballemi me pushtim në çdo kohë, dhe të jem i qartë, aty përfshihet edhe periudha e Lojërave Olimpike Dimërore”.
Edhe presidenti amerikan, Joe Biden, u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve amerikanë që janë në Ukrainë të largohen nga ky shtet menjëherë, pas rritjes së kërcënimeve për veprime të ushtrisë ruse.
“Shtetasit amerikanë duhet të largohen tani”, ka thënë Biden të enjten për NBC News.
“Ne po përballemi me një prej ushtrive më të mëdha në botë. Është situatë krejt ndryshe dhe gjërat mund të përshkallëzohen shpejt”.
I pyetur nëse ekziston një skenar që mund ta shtyjë atë të dërgojë trupa ushtarake për t’i shpëtuar amerikanët, Biden ka thënë se nuk ka.
“Bëhet luftë botërore kur amerikanët dhe rusët nisin të shtëna ndaj njëri-tjetrit. Ne jemi në një botë krejt ndryshe prej asaj që kemi qenë”.
Rusia ka mohuar vazhdimisht se ka plan të pushtojë Ukrainën, pavarësisht se ka mbledhur më shumë se 100 mijë trupa afër kufirit.
Ndërkohë Rusia ka nisur edhe stërvitjet masive ushtarake me shtetin fqinj, Bjellorusinë.
Ukraina ka akuzuar Rusinë për bllokim të qasjes në det.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dymtro Kuleba, ka thënë se Deti Azov është bllokuar plotësisht dhe Deti i Zi është mbushur me forca ruse.
Stërvitjet detare të Rusisë nisin javën e ardhshme në dy detet në jug të Ukrainës.
Rusia ka lëshuar paralajmërime se do të ketë gjuajtje me raketa dhe armë tjera gjatë stërvitjeve.
Moska ka thënë se nuk mund ta pranojë që Ukraina – ish-republikë sovjetike me lidhje të forta socio-kulturore me Rusinë – t’i bashkohet një ditë NATO-s dhe ka kërkuar që kjo të mos ndodhë ndonjëherë.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë të enjten se Evropa po përballet me krizën më të madhe të sigurisë në dekada për shkak të këtyre tensioneve.
Liderët botërorë vazhdojnë të deklarohen se diplomacia duhet të shërbejë për ulje të krizës rreth Ukrainës.
Rusia dhe Ukraina kanë njoftuar të enjten vonë se kanë dështuar që të arrijnë në ndonjë pikë kyçe në bisedimet me zyrtarë francezë dhe gjermanë, me qëllim të dhënies fund të konfliktit separatist në lindje të Ukrainës.
Tensionet aktuale kanë ardhur tetë vjet pasi Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë.
Prej atëherë, ushtria ruse ka luftuar me rebelët e përkrahur nga Rusia, në lindje të shtetit.
Kryeministri britanik ka thënë se shpreson në “diplomaci të durueshme” për të gjetur rrugën në këtë krizë, ndonëse rreziqet janë të mëdha.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë gjatë një konference me homologen e tij britanike, Liz Truss se bisedimet kanë qenë “zhgënjyese”.
Ai ka thënë se marrëdhëniet në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë “lënë për të dëshiruar” dhe se “janë në pikën më të ulët në vjetët e fundit”.
Truss ka akuzuar Rusinë për “retorikë të Luftës së Ftohtë”.
Ka shqetësime se nëse Rusia tenton të pushtojë Ukrainën, stërvitjet e afrojnë ushtrinë ruse afër kryeqytetit ukrainas Kiev, duke e bërë më të lehtë sulmin aty.
Rusia, në anën tjetër, ka deklaruar se trupat e saj do të kthehen në baza të përhershme pas përfundimit të stërvitjeve.
Ukraina ka nisur stërvitjet e veta ushtarake 10-ditore, mirëpo zyrtarët kanë dhënë pak hollësi.
Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje amerikanëve në Ukrainë që të largohen menjëherë nga vendi për shkak të “shtimit të rrezikut për veprime ushtarake ruse” kundër Ukrainës.
“Mos shkoni në Ukrainë për shkak të rritjes të rrezikut për veprime ushtarake ruse dhe COVID-19; ata që ndodhen në Ukrainë duhet të largohen menjëherë,” paralajmëron Departamenti i Shtetit në udhëzimin për udhëtimet në Ukrainë.
Edhe presidenti Joe Biden përcolli të njëjtin mesazh në një intervistë për televizionin NBC.
“Qytetarët amerikanë duhet të largohen tani. Kemi të bëjmë me një nga ushtritë më të mëdha në botë. Situata ka ndryshuar dhe ngjarjet mund të precipitojnë me shpejtësi”, tha ai.
I pyetur nëse kishte një skenar të mundshëm që mund ta bënte atë të dërgonte trupa për të shpëtuar amerikanët që po lënë vendin, zoti Biden u përgjigj:
“Nuk ka. Do të ishte luftë botërore nëse amerikanët dhe Rusia fillojnë të hapin zjarr ndaj njëri-tjetrit. Jemi në një botë më të ndryshme nga ç’kemi parë ndonjëherë më parë”, tha ai.
Rusia mohon të jetë duke planifikuar një sulm ndaj Ukrainës, por ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa në kufirin e saj me vendin fqinj.
Mes tensioneve të vazhdueshme me Rusinë, administrata Biden po paralajmëron se më shumë se 100 mijë trupat ruse përgjatë kufirit të Ukrainës mund të fillojnë një pushtim në çdo moment.
Trupat nga Divizioni i 82-të i Forcave Ajrore Amerikane zbarkojnë në Poloni, një shenjë mbështetjeje mes aleatëve të NATO-s pas një grumbullimi të vazhdueshëm të trupave ruse përgjatë kufirit të Ukrainës.
“Kontributi i Shteteve të Bashkuara në Poloni tregon solidaritetin tonë me të gjithë aleatët tanë këtu në Evropë dhe padyshim gjatë kësaj periudhe pasigurie, e dimë se jemi më të fortë së bashku”, tha gjenerali Chris Donahue me Divizionin e 82-të Ajror.
Sipas Departamentit të Shtetit, përveç dërgimit të trupave amerikane në vendet aleate të NATO-s në Evropën Lindore, Uashingtoni ka dërguar 650 milionë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën, sasia më e madhe ndonjëherë për këtë vend. Qeveria e Ukrainës deri më tani e ka minimizuar mundësinë e një pushtimi rus. Por zyrtarë të lartë amerikanë mendojnë ndryshe.
“Ne besojmë se ekziston një mundësi shumë e qartë që Vladimir Putini të urdhërojë një sulm ndaj Ukrainës. Mund të marrë një sërë formash. Mund të ndodhë që nesër, ose mund të duhen edhe disa javë. Ai e ka vënë veten në pozicion me dislokime ushtarake për të qenë në gjendje të veprojë në mënyrë agresive kundër Ukrainës në çdo moment tani”.
Jake Sullivan shtoi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të vazhdojnë përpjekjet diplomatike nëse Rusia zgjedh rrugën e uljes së tensioneve. Kriza përgjatë kufirit të Ukrainës po ndihmon në krijimin e një momenti të rrallë uniteti politik në Uashington, pasi anëtarët nga të dyja partitë kryesore e dënojnë një pushtim të mundshëm.
“Kushtet janë aty. Ka më shumë gjasa të ndodh sesa jo. Laku po mblidhet rreth Ukrainës. Këto janë kohë të rrezikshme. Koha është thelbësore. Ky do të ishte pushtimi më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore koha, siç përmendi Jake Sullivan, po afron“, tha ligjvënësi republikan Michael McCaul.
Ndërkohë, ukrainasit dolën në rrugë të shtunën në një demonstrim force, duke u zotuar se do të “mbronin” atdheun e tyre.
Në Çërnobil, vetëm 10 kilometra larg Bjellorusisë, Garda Kombëtare e Ukrainës kryen stërvitje me zjarr të drejtpërdrejtë.
Përpjekjet diplomatike mes anëtarëve të NATO-s dhe Rusisë ende nuk kanë dhënë ndonjë rezultat. Një pikë kyçe e pengesës është kërkesa e Rusisë që Ukraina të mos pranohet kurrë në NATO, një kërkesë e panegociueshme për Shtetet e Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara kanë informacione zbulimi sipas së cilave Rusia ka hartuar një plan për fabrikimin e një preteksti për pushtimin e mundshëm të Ukrainës, njoftojnë gazetat New York Times dhe Washington Post, duke cituar persona që janë në dijeni të kësaj çështjeje.
New York Times njofton se plani i Rusisë përfshin përdorimin e një videoje të rreme ku inskenohet një sulm që Moska do ta paraqesë si të kryer nga ushtria ukrainase, ose në territorin rus, ose kundër banorëve mbështetës të Rusisë në Ukrainën lindore.
Gazeta njofton se plani, që Shtetet e Bashkuara shpresojnë ta parandalojnë duke e bërë publik, ka si objektiv, që videoja të përdoret për ta akuzuar Ukrainën për “gjenocid”.
“Më pas (Rusia) do të shfrytëzojë indinjatën ndaj videos për të justifikuar ndërmarrjen e një sulmi, ose për t’i shtyrë udhëheqësit separatistë në rajonin e Donbasit të Ukrainës lindore, që të kërkojnë një ndërhyrje ruse”, thotë New York Times.
Sipas gazetës, zyrtarët amerikanë, nuk do të publikojnë asnjë provë të drejtpërdrejtë të planit rus, ose detaje se si mësuan për të, për të mos komprometuar burimet dhe metodat e tyre.
Fushata disinformuese ruse, që ka në qendër akuza të rreme për gjenocid ndaj Ukrainës, si dhe veprimet e fundit të parlamentit rus për të njohur qeverisjet e rajoneve separatiste në Ukrainë, janë në përputhje me përfundimet e zbulimit amerikan.
Ndërsa gazeta “Washington Post” njofton se administrata ka në plan ta bëjë të enjten publik këtë informacion sekret.
Gazeta citon burime që janë në dijeni të planit rus të thonë se ai është hartuar nga shërbimet ruse të sigurisë dhe është në fazat e përparuara të përgatitjes.
“Plani ka lidhje, por është një plan më vete nga komplotet e tjera që janë zbuluar nga shërbimet perëndimore të zbulimit, përfshirë vendosjen e sabotatorëve nga Rusia në Ukrainën lindore dhe një tjetër skemë për të cilën njoftoi muajin e kaluar qeveria britanike, që synonte destabilizimin e qeverisë dhe vendosjen në fuqi të një udhëheqësi pro-rus në krye të saj”, i thanë zyrtarët gazetës Washington Post.
Shtëpia e Bardhë tha muajin e kaluar se zyrtarët e zbulimit amerikan kanë arritur në përfundimin se Rusia kishte dislokuar operativë të saj në Ukrainën lindore të kontrolluar nga rebelët, për të kryer akte sabotazhi dhe për të fajësuar Ukrainën për një gjë të tillë, duke krijuar kështu një pretekst për ta pushtuar.
Rusia ka mohuar të ketë plane për pushtimin e Ukrainës, por ka grumbulluar mijëra trupa në kufirin me fqinjin e saj.
Presidenti i televizionit CNN Jeff Zucker dha dorëheqjen të mërkurën pasi pranoi se ishte në një marrëdhënie konsensuale me një drejtuese tjetër të rrjetit televiziv. Ai ishte për nëntë vjet në krye të kompanisë ku bën pjesë CNN-i, një prej kompanive më të mëdha mediatike në Shtetet e Bashkuara.
Zoti Zucker tha se e kishte konfirmuar marrëdhënien kur u pyet për të në kuadër të një hetimi ndaj gazetarit Chris Cuomo, i cili u pushua nga puna pasi doli në pah se kishte ndihmuar vëllain e tij, ish-guvernatorin e Nju Jorkut, Andrew Cuomo, ndërsa ai po hetohej për ngacmime seksuale.
“Duhej ta kisha raportuar kur filloi marrëdhënia, por nuk e bëra një gjë të tillë,” u shpreh zoti Zucker. “Gabova.”
Nuk është ende e qartë se kush do ta drejtojë televizionin CNN përpara se të caktohet presidenti i ardhshëm.
Me anë të një deklaratë, zoti Zucker tha se do të kishte dashur që mandati i tij të kishte përfunduar ndryshe por shtoi se përvoja e tij në CNN kishte qenë e mrekullueshme.
Allison Gollust, nënpresidente ekzekutive dhe shefe e marketingut në CNN, e pranoi marrëdhënien me anë të një deklarate.
“Unë dhe Jeff kemi qenë miq të ngushtë dhe partnerë në profesion për më shumë se 20 vjet. Së fundmi, natyra e marrëdhënies sonë ndryshoi gjatë COVID-it. Më vjen keq që nuk e konfirmuam në kohën e duhur. Jam jashtëzakonisht krenare për punën në CNN dhe pres me padurim të vazhdoj të kontribuoj në këtë punë të mrekullueshme që bëjmë çdo ditë”, tha ajo.
Para se të punonte në CNN, zonja Gollust ishte drejtore komunikimi për ish-guvernatorin Andrew Cuomo, sipas një biografie të postuar në faqen e internetit të CNN-it.
Zoti Zucker u emërua si president i kompanisë “WarnerMedia News dhe Sports” në mars të vitit 2019. Ai gjithashtu ka shërbyer si president i “CNN Worldwide” që nga viti 2013.
Zëri i Amerikës (VOA) shënon 80-vjetorin e themelimit. Transmetimet e këtij gjidanti mediatik ndërkombëtar kanë filluar në shkurt të vitit 1942, si një mjet për të luftuar propagandën naziste me lajme dhe infiormacion të saktë, objektiv dhe të pa anshëm. Për 80-vjet, Zëri i Amerikës i ka shërbyer botës – në kohë lufte dhe në kohë paqeje — duke ofruar shpresë dhe frymëzim në mbrojtje të vërtetës, me përhapjen e lajmeve dhe të informacionit gjatë dekadave, në dyzina gjuhësh të huaja, anë e mbanë botës, përfshir gjuhën shqipe.
Nga themelimi i tij e deri më sot, Zëri i Amerikës vazhdon të jetë i angazhuar për të raportuar të vërtetën me mbulimin e lajmeve, ngjarjeve dhe zhvillimeve politike, ekonomike dhe ushtarake, anë e mbanë botës, duke dhenë shembull për parimet e një shtypi të lirë. Kështu ka qenë duke filluar nga Lufta e dytë Botërore, Lufta e Ftohtë, lufta kundër terrorizmit, konfliktet dhe përpjekjet e sotëme për liri e demokraci, anë e mbanë globit.
Edhe Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e këtij gjigandi të lajmeve ndërkombëtare, duke filluar nga Lufta e Dytë Botërore – me një ndërprerje të shkurtër – por duke rifilluar transmetimet në vitin 1951. VOA shqip gjatë gjithë këtyre viteve – falë dyzina gazetarëve shqiptaro-amerikanë dhe përkushtimit të tyre ndaj të vërtetës dhe dashurisë së tyre për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, ka kontribuar në përhapjen e të vërtetës dhe në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, sidomos në periudhën e errët gjysëm shekullore të komunizmit shqiptar, kur dy vendet tona nuk kishin marrëdhënie dy-palëshe dplomatike. Ishte një periudhë, kur Shtetet e Bashkuara, komunikonin me kombin shqiptar, nepëmjet Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe.
Në atë atmosferë tensionesh ndërkombëtare, më 13 maj, 1951 rifillon radio transmetimet edhe Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, transmetime, të cilat kishin filluar më 1943, por që ishin ndërprerë më 1945. Ishte ky një ri-fillim i transmetimeve të shërbimit shqip të VOA-s, i cili qe inauguruar me një mesazh të posaçëm, drejtuar popullit shqiptar, nga Sekretari Amerikan i Shtetit në atë kohë, Dean Acheson. Ishte ky një mesazh i ngrohtë, i cili ritheksonte miqësinë tradicionale dhe të hershme midis popullit amerikan dhe popullit shqiptar, mesazh, i cili përsëritej shpesh dhe në forma të ndryshme, pothuaj çdo vit, nepërmjet Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe nga zyrtarë të lartë amerikanë, megjithë vrerin anti-amerikan që vinte nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, gjatë dekadave.
Ndonëse, ishte kulmi i Luftës së Ftohtë, mesazhi i ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, Dean Acheson, për nga theksi i miqësisë amerikano-shqiptare, nuk ndryshon as nga deklaratat e mëparshme as nga ato të mëvonshme të zyrtarëve amerikanë, gjë që lë të nënkuptohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë pasur dhe kanë vazhduar të kenë një politikë pro-shqiptare dhe konsekuente megjithë, armiqësinë e regjimit komunist të Tiranës, për pothuaj një gjysëm shekulli, ndaj Zërit të Amerikës dhe Shteteve të Bashkuara.
Megjithëse sot, në këtë 80-vjetor të VOA-s, si enti më i madh ndërkombëtar mediatik i Amerikës në gjuhë të huaja, gjërat kanë ndryshuar dhe ndërkohë që vitet e fundit, falë zhvillimeve politike në Shqipëri, po zhvillohet një debat i vazhdueshëm dhe deri diku i ashpër deri në ditët tona në media dhe në qarqet politike, mbi statusin aktual të këtyre marrëdhënieve dhe luhatjet që mund të vihen re sot në marrëdhëniet dy palëshe. E kam thënë shpesh dhe vazhdoj të besoj se — megjithë aktorët e sotëm nga të dyja palët – dhe megjithë pyetjen: “Quo Vadis” marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, si rezultat i veprimtarive të këtyre aktorëve aktualë, unë besoj se ato janë aq të forta në themel, sa që askush nuk mund t’i dëmtojë ato në mënyrë përmamente. Mund t’i ngadalsojnë dhe mund të hedhin dyshime, madje të bëhen edhe kërcënime nga persona të caktuar dhe burokratë miopë aktualë nga të dy palët – besoj se nga pikëpamja historike, deklarata e ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Dean Acheson, në kulmin e periudhës më të errët të marrëdhënieve midis dy vendeve tona — pasqyron gjithnjë këtë angazhim, se “Lidhja midis nesh, po ripohohet; miqësia e jonë e hershme do të marrë fuqi dhe rëndësi të re. Kjo miqësi është një rezultat i natyrshëm i identifikimit të Shteteve të Bashkuara me përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi”. Si i tillë, ia vlen që kjo deklaratë të sillet në vëmendjen e lexuesit, në këtë 80-vjetor të themelimit të Zërit të Amerikës, si dh rolin e rëndësishëm që ky ent amerikan i lajmeve ka luajtur në ruajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane – popull me popull. Pason mesazhi i Dean Acheson drejtuar popullit shqiptar me rastin e rifillimit të transmetimeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, me 13 Maj, 1951.
“Është një kënaqësi e madhe për mua që me këtë rast t’i dërgoj një mesazh popullit shqiptar në emër të Qeverisë dhe të popullit të Shteteve të Bashkuara. Me rihapjen e programeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan edhe njëherë shprehin interesimin e tyre tradicional për popullin shqiptar. Lidhja midis nesh, po ripohohet; miqësia e jonë e hershme do të marrë fuqi dhe rëndësi të re. Kjo miqësi është një rezultat i natyrshëm i identifikimit të Shteteve të Bashkuara me përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Gjatë viteve, Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan i kanë konsideruar këto përpjekje me simpati dhe mbështetje, duke ditur se ato pasqyrojnë aspiratat e juaja të vërteta.
Që prej Konferencës së Versajës më 1919-n, kur Presidenti Woodrow Wilson mori përsipër duke treguar interesimin e tij personal për ri-vendosjen e një Shqipërie të pavarur, Qeveria e Shteteve e të Bashkuara ka mbështetur përpjekjet e patriotëve shqiptarë.
Gjatë periudhës midis dy luftërave botërore, Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar marrëdhënie të ngushta dhe miqësore me popullin shqiptar. Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar institucionet humanitare dhe arsimore private, siç janë Kryqi i Kuq Ndërkombëtar për të Rinjtë, Fondacioni për Lindjen e Afërt dhe Fondacioni Rockefeller, për të ndihmuar shqiptarët në përpjekjet e tyre në themelimin dhe në zhvillimin e institucioneve të veta. Shtetet e Bashkuara ishin të parat nga fuqitë aleate të Luftës së Dytë Botërore, të cilat bënë deklaratën e parë zyrtare për rivendosjen e një Shqipërie të lirë, duke deklaruar se një gjë e tillë ishte në përputhje me parimet e Kartës së Atlantikut.
Por kjo tani është pjesë e historisë, e së kaluarës suaj. Tani e tutje, Zëri i Amerikës do t’u flasë juve mbi të tashmen dhe mbi të ardhmen. Tani për tani, ju e dini më mirë se unë se shpresat e tuaja për një vend të lirë dhe sovran, nuk janë realizuar. Me qëllim për t’u ndihmuar që të realizoni një të ardhme për veten tuaj, si një vend i lirë dhe i pavarur dhe anëtar i komunitetit të kombeve, Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet kësaj radioje do ju sjellë mjetet ose instrumentet për të gjykuar dhe vlerësuar gjërat- d.m.th, faktet. Zëri i Amerikës do ju sjellë atë që u është mohuar për një kohë të gjatë – të vërtetën nga bota e lirë. Me këtë rast, Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan u dërgojnë përshëndetjet e tyre dhe Zëri i Amerikës u dëshiron mirëseardhjen në radhët e dëgjuesve të tij.” Dean Acheson, 13 Maj, 1951.
Ky mesazh nga ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Dean Acheson pasqyron ndjenjat miqësore, simpatinë dhe mirëkuptimin që Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan kanë treguar gjatë dekadave për aspiratat e kombit shqiptar për një ekzistencë kombëtare, të lirë dhe të pavarur, jashtë influencave të huaja. Janë këto aspirata të ngulitura thellë në traditën dhe psikozën amerikane, por njëkohësisht janë edhe pjesë e idealeve universale për liri e demokraci dhe njëherazi janë edhe burimi dhe prirja e shqiptarëve ndaj qytetërimit perëndimor. Andaj, gjatë dekadave të regjimit komunist në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë, pritshin me ankth dhe me shpresë ditën kur Shqipëria dhe kombi shqiptar do të jetonte në liri, zot në tokën e vet dhe i lirë për të vendosur vet fatin e tij.
Vizioni i ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Dean Acheson-it për “një Shqipëri të lirë e të pavarur, anëtare e komunitetit të kombeve”, sot anëtare e NATO-s – është bërë realitet. Roli që ka luajtur Zëri i Amerikës në realizimin e këtij vizioni ishte i konsiderueshëm, sepse sipas Dean Achesonit, VOA gjatë dekadave të kaluara, u solli shqiptarëve lajmet objektive, të vërtetën dhe faktet, për zhvillimet e mbrendshme dhe të jashtme — si mjete dhe instrumente të nevojshme për të vlerësuar dhe gjykuar drejtë — duke shërbyer, njëkohësisht, edhe si një lidhje e pa-ndërprer dhe pa ndërhyrje komunikimi midis Kombit amerikan dhe Kombit shqiptar – në ditë të mira dhe në ditë të vështira.
Gëzuar 80-vjetorin e themelimit, VOA!
Frank Shkreli
Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Dean Acheson, mbështetës i zjarrët i Zërit të Amerikës, 1951
Falë një përpjekjeje dypartiake, Senati po përgatitet për atë që kryetari i komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, e ka quajtur si “nëna e të gjitha sanksioneve”, që do t’i vendoseshin Rusisë në rast të pushtimit të Ukrainës.
Sipas kryetarit të komisionit Robert Menendez, senatorët janë në prag për të rënë dakord për një paketë masash që synojnë ta bëjnë koston financiare në rast agresioni ndaj Ukrainës, jashtëzakonisht të lartë për zyrtarët e lartë të qeverisë ruse, si dhe shtetasit e zakonshëm rusë.
Projektligji që po shqyrtohet tha zoti Menendez gjatë një interviste të dielën për rrjetin televiziv CNN, përfshin “sanksione masive kundër bankave më të rëndësishme ruse, që do të dëmtonin ekonominë e këtij vendi dhe që do të sillte pasoja domethënëse për rusët e thjeshtë në llogaritë e tyre bankare e pensione”.
Zoti Menendez tha gjithashtu se pret që Senati të miratojë ndihmë shtesë në armë për Ukrainën.
Senati po shqyrton marrjen e masave kundër Rusisë, ndërsa Moska ka dislokuar mbi 100,000 trupa përgjatë kufijve veriorë, lindorë dhe jugorë të Ukrainës. Në vitin 2014, Rusia pushtoi Krimenë, një rajon i Ukrainës, duke marrë kontrollin e saj. Në të njëjtën kohë, ajo filloi të ofrojë mbështetje për një kryengritje pro-ruse në Donbas të Ukrainës, një rajon që ka përjetësuar një konflikt të gjatë, por me intensitet të ulët gjatë viteve të fundit.
Në një shfaqje të vendosmërisë dypartiake, republikani kryesor i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, James Risch tha se megjithëse nuk është i bindur që Rusia kishte marrë një vendim për të pushtuar Ukrainën, dërgimi i një mesazhi për pasojat ekonomike që do të paguante Moska, nëse një gjë e tillë do të ndodhte, është mjaft i rëndësishëm.
UASHINGTON – Në dallim nga praktika e deritanishme, Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate janë duke i bërë publike gjithnjë e më shumë gjetjet e shërbimeve të zbulimit, ndërsa përballen me përgatitjet e Rusisë për një pushtim të mundshëm të Ukrainës. Kjo synon të dobësojë planet e Presidentit Putin, duke i ekspozuar ato dhe synon të devijojë përpjekjet e tij për të ndikuar tek opinioni publik.
Shtëpia e Bardhë publikoi gjatë javëve të fundit atë, që e cilësoi si një operacion rus, që synonte të krijonte pretekstin për pushtim. Britania publikoi emra konkretë shtetasish të Ukrainës, që i akuzon se kanë lidhje me zyrtarët e zbulimit rus, që po planifikojnë rrëzimin nga pushteti të Presidentit Volodymyr Zelensky. Shtetet e Bashkuara gjithashtu publikuan një hartë të pozicioneve të ushtrisë ruse dhe dhanë detaje se si ata mendojnë që Rusia do të përpiqet ta sulmojë Ukrainën, me gati 175 mijë forca ushtarake.
Ekspertët vlerësojnë rolin e Shtëpisë së Bardhë për publikimin e materialeve të zbulimit dhe hedhjen poshtë të pretendimeve false përpara se ato të përhapen – një taktikë kjo më efikase se reagimi pas faktit.
Por publikimi i të dhënave nuk është pa rreziqe. Vlerësimet e shërbimeve të zbulimit bëhen me nivele të ndryshme konfidence dhe me përjashtim të fotove të lëvizjeve të formacioneve, Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate, nuk kanë ofruar prova të mëtejshme. Moska i ka hedhur poshtë pretendimet e Uashingtonit si histerike dhe ka risjellë në vëmendje dështimet e mëparshme të zbulimit amerikan, përfshirë të dhënat false të paraqitura për programin e armatimit të Irakut.
Deri më tani nuk ka shenja të qarta për ndryshim nga Rusia, e cila vazhdon të zhvendosë forcat ushtarake drejt Ukrainës dhe në territorin e Bjellorusisë, një vend aleat i Rusisë, i ndodhur në kufirin verior të Ukrainës. Ka pesimizëm në rritje në Uashington dhe Londër për përpjekjet diplomatike që po bëhen dhe se zoti Putin ka gjasa të fillojë një lloj pushtimi gjatë javëve në vazhdim.
Rusia është e njohur për përdorimin e dizinformimit si një taktikë për të mbjellë konfuzion dhe mosmarrëveshje, si pjesë e strategjisë së saj për konflikt. Kur Rusia pushtoi në Ukrainë, në vitin 2014, Gadishullin e Krimesë, ajo filloi një fushatë për të ndikuar mbi banorët etnikë rusë të këtij territori. Mediat shtetërore dhe llogaritë në mediat sociale të lidhura me Rusinë, nxisnin akuzat se Perëndimi po manipulonte protestat në Kiev, si dhe përhapnin rrëfime false, apo të pakonfirmuara, për krime të tmerrshme të forcave ukrainase të sigurisë.
Këtë radhë, Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate thonë se Rusia po përpiqet të paraqesë udhëheqësit ukrainas si agresorë dhe të bindë kështu popullsinë ruse, që të mbështesë operacionet ushtarake. Në të njëjtën kohë, thonë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët, Rusia ka pozicionuar operativë në territorin lindor të Ukrainës, të cilët mund të kryejnë akte sabotazhi ndaj vetë forcave vasale të Rusisë dhe të fajësojnë më pas për këtë Kievin.
Shtëpia e Bardhë ka nxjerrë vazhdimisht në pah ato që i ka perceptuar si dizinformata dhe ua ka kaluar të dhënat e zbulimit aleatëve, përfshirë Ukrainës. Departamenti i Shtetit publikoi rishtazi një listë të dhënash dhe hodhi poshtë disa nga pretendimet e Rusisë. Gjithashtu, Departamenti i Thesarit vendosi sanksione ndaj katër personave të akuzuar për lidhje me operacionet e influencimit, që synonin të krijonin pretekstin për një pushtim të ri të Ukrainës.
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, foli për marrjen e “një vendimi strategjik për ta denoncuar dizinformimin që konstatojmë”.
“Jemi shumë më të familjarizuar me makinerinë ruse të dizinformimit se ç’ishim në vitin 2014”, tha ajo të mërkurën, duke shtuar se “duhet të jemi shumë të qartë me komunitetin global dhe publikun amerikan për atë çfarë ata po përpiqen të bëjnë dhe arsyet pse”.
Një zyrtar i Bashkimit Evropian u tha gazetarëve të premten se grupe të lidhura me Moskën po mbështesin justifikimet për konflikt, ashtu siç ndodhi tetë vjet më parë. Një nga skenarët, që këto grupe paraqesin si formë reagimi ndaj akuzave amerikane, është se Shtetet e Bashkuara mund të jenë duke planifikuar për vete një operacion diversioni për të shkaktuar një përplasje në Ukrainën lindore.
Moska vazhdon të bëjë kërkesa që NATO të mos e pranojë Ukrainën dhe të mos zgjerohet me vende të tjera. Pasi zbulimi britanik e akuzoi se ai mund të ishte kandidati për president i mbështetur nga Rusia, politikani ukrainas Yevheniy Murayev, e mohoi akuzën dhe i tha agjensisë së lajmeve Associated Press se kjo “shëmbëllen qesharake dhe argëtuese”.
Ndërkaq, Uashingtoni dhe Moska vazhdojnë përplasjet në internet. Rrjeti mediatik i mbështetur nga Kremlini, “RT.com”, publikoi më 21 dhjetor një video ku aludohej se “Kompani private ushtarake amerikane po grumbullojnë komponentë kimikë në Ukrainën Lindore”. Departamenti i Shtetit e hodhi poshtë këtë pretendim në të dhënat që publikoi për propagandën ruse. Ministria e Jashtme ruse u përgjigj në vazhdim me mesazhe në Twitter “duke hedhur poshtë ‘faktet’ e @StateDept mbi dizinformimin rus në Ukrainë”.
Përpjekjet e Uashingtonit kanë ngritur pikëpyetje në Kiev, ku Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka ndërmarrë një përqasje të ndryshme publike, duke u përpjekur të ulë frikën e publikut ndaj një lufte të zgjeruar, megjithëse shumë ukrainas janë tashmë duke u përgatitur për luftë.
Zyrtarët ukrainas ngrenë privatisht pyetjen përse administrata e Presidentit Biden po paralajmëron për një pushtim të afërt, por nuk vendos sanksione parandaluese, apo nuk ndërmerr hapa kundër gazsjellësit Nord Stream 2, që kritikohet se i ka dhënë më shumë influencë Moskës mbi Ukrainën dhe Evropën Perëndimore. Administrata e Presidentit Biden loboi ligjvënësit demokratë që të kundërshtonin një projek-ligj republikan ku parashikohej vendosja e sanksioneve ndaj gazsjellësit, i cili ende nuk ka hyrë në funksionim.
Shtëpia e Bardhë ka kërcënuar me sanksione të ashpra, nëse Rusia pushton Ukrainën dhe po përgatitet të dërgojë forca në krahun lindor të NATO-s nëse do të ndodhë ky pushtim. Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate gjithashtu po dërgojnë armatime dhe sisteme raketash drejt Ukrainës.
Molly McKew, autore dhe profesore për ndikimin rus, tha se lëvizjet e administratës amerikane për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Rusisë për të influencuar, duhet të shoqërohen nga një deklaratë e qartë e objektivave dhe planeve amerikane për t’iu kundërvënë pushtimit të mundshëm.
Vetëm identifikimi publikisht i veprimeve, nuk do ta ndalonte Rusinë që t’i përmbushte ato, tha zonja McKew, ish-këshilltare e Presidentit të Gjeorgjisë, Mikhail Saakashvili, vendi i të cilit bëri luftë me Rusinë në vitin 2008 dhe ende po përpiqet të rifitojë kontrollin e rajoneve separatiste që mbështeten nga Moska.
“Po përpiqen të zbatojnë logjikën e dizinformimit në sferat ushtarake”, tha ajo. “Nuk është absolutisht e mundur të largohet kriza nëpërmjet ekspozimit”.
Ekspertët thonë se si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Ukrainë, ka tashmë shumë më tepër ndërgjegjësim në shoqëri për dizinformimin e mbështetur nga shteti. Rusia ka vazhduar gjatë disa viteve të fundit të bombardojë ukrainasit me mesazhe në celular dhe histori false gjatë luftës në vazhdim në Ukrainën lindore, gjatë së cilës kanë vdekur të paktën 14 mijë persona. Dhe ndërhyrja e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 u pasua nga disa procese hetimore dhe vite debatesh shpesh përçarëse.
Bret Schafer, studiues në Aleancën për Sigurimin e Demokracisë, të Fondit Marshall Gjerman, thotë se megjithëse ekziston rreziku që t’u jepet rëndësi pretendimeve false gjatë procesit të denoncimit të tyre, “ekziston nevoja për t’i devijuar kërcënimet nëpërmjet informimit, më mirë se t’iu përgjigjemi atyre pasi të kenë dalë në qarkullim”.
Por, ta akuzosh publikisht Rusinë për sjellje të keqe është përfundimisht një formë e kufizuar parandalimi. “Ata nuk shqetësohen për dëmtimin e reputacionit”, tha ai.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden është i përkushtuar të emërojë një grua me ngjyrë në Gjykatën Supreme, tha të mërkurën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Presidenti ka deklaruar dhe ka përsëritur angazhimin e tij për të emëruar një grua me ngjyrë në Gjykatën Supreme dhe sigurisht se qëndron pranë kësaj sot”, tha Psaki në një konferencë për media.
Deklaratat e saj erdhën disa orë pasi raportet e shumta mediale theksuan se gjykatësi Stephen Breyer po largohet nga Gjykata Supreme në fund të mandatit aktual.
Breyer shërbeu si gjyqtar i Gjykatës së Apelit nga viti 1980 deri në vitin 1994 përpara se të bëhej shef i emëruar nga ish-presidenti Bill Clinton.
Kur u pyet nëse Biden do të zgjedhë zëvendës presidenten Kamala Harris për Gjykatën, Psaki tha: “Përsëri, nuk do të flas për ndonjë konsideratë, përgatitje, listë”.
Gjatë fushatës së tij presidenciale, Biden u zotua të emërojë një grua me ngjyrë nëse ai zgjidhet.
Ambasada amerikane në Kiev u ka bërë thirrje amerikanëve në Ukrainë që ta shqyrtojnë mundësinë e largimit nga vendi, duke pasur parasysh situatën e “paparashikueshme”.
Tensionet midis Ukrainës dhe Rusisë janë rritur pasi kjo e fundit ka vendosur mijëra trupa pranë kufirit, duke e rrethuar Ukrainën nga veriu, lindja dhe jugu.
“Situata e sigurisë në Ukrainë vazhdon të jetë e paparashikueshme për shkak të rritjes së kërcënimit nga veprimi ushtarak rus dhe mund të përkeqësohet në çdo kohë”, tha Ambasada amerikane në Kiev.
“Ambasada amerikane u bën thirrje shtetasve amerikanë në Ukrainë që ta konsiderojnë mundësinë që të largohen përmes mundësive të transportit komercial apo privat”, u tha në deklaratën e lëshuar më 26 janar.
Më herët gjatë javës, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se do të tërheqë një pjesë të stafit të ambasadës në Kiev dhe familjarët e tyre.
Rusia mohon se po përgatitet që ta pushtojë Ukrainën, por ka vendosur mbi 100,000 trupa në kufi me këtë shtet. Sipas inteligjencës perëndimore, pranë kufirit me Ukrainën, Rusia ka kryer një sërë stërvitjesh ushtarake, duke rritur shqetësimet se po përgatitet për një sulm ndaj Ukrainës.
Më 2014, Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe që atëherë ka mbështetur separatistët që po luftojnë me forcat ukrainase në lindje të Ukrainës.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken thotë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë asnjë lëshim ndaj kërkesave kryesore ruse mbi Ukrainën dhe NATO-n në një përgjigje me shkrim të dërguar të mërkurën ndaj Moskës.
Rusia kishte kërkuar garanci që NATO-ja nuk do të pranojë kurrë Ukrainën si dhe vendet e tjera ish-sovjetike të bëhet pjesë e saj si dhe se aleanca të tërheqë trupat nga vendet e tjera të ish-bllokut sovjetik. Këto nuk janë pika diskutimi për SHBA-në dhe aleatët e saj.
Sekretari Blinken tha se përgjigja ndaj Rusisë e bën shumë të qartë se Shtetet e Bashkuara po u qëndrojnë parimeve të tyre, duke thënë: “Nuk ka ndryshim, dhe nuk do të ketë ndryshim”.
Ambasadori amerikan në Moskë, John Sullivan, ia dorëzoi përgjigjen zëvendësministrit të Jashtëm të Rusisë, Alexander Grushko.
SHBA nuk e ka bërë publike përgjigjen e saj, por tashmë ka paralajmëruar se kërkesat kryesore të Rusisë janë të papranueshme.
Rusia ka paralajmëruar se do të marrë shpejt “masa hakmarrëse” nëse SHBA dhe aleatët e saj refuzojnë kërkesat e saj.
Kremlini ka mohuar në mënyrë të përsëritur se ka plane për të sulmuar Ukrainën, por SHBA-ja dhe NATO janë të shqetësuara për dislokimin e rreth 100,000 trupave nga Rusia pranë Ukrainës dhe fillimin e një sërë manovrash të gjera ushtarake .
Si pjesë e stërvitjeve, njësitë e motorizuara të këmbësorisë dhe artilerisë në Rusinë jugperëndimore praktikuan gjuajtjen me municione reale. Avionët luftarakë në Kaliningrad në Detin Baltik, kryen bombardime ndërsa dhjetëra anije luftarake lundruan për manovra stërvitore në Detin e Zi dhe Arktik. Avionë luftarakë rusë dhe parashutistë mbërritën në Bjellorusi për stërvitjet e përbashkëta që do të zhvillohen në shkurt.
Duke folur me ligjvënësit, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha se ai dhe zyrtarë të tjerë të lartë do të këshillojnë Presidentin Vladimir Putin për hapat e ardhshëm pas marrjes së përgjigjes nga Shtetet e Bashkuara.
“Nëse Perëndimi vazhdon kursin e tij agresiv, Moska do të marrë masat e nevojshme hakmarrëse”, tha zoti Lavrov.
Ai shtoi se Rusia nuk do të presë përgjithmonë. “Ne nuk do të lejojmë që propozimet tona të mbyten në diskutime të pafundme”, tha ai.
Zoti Lavrov ironizoi me pohimet mbi mundësinë e një pushtimi të afërt nga ana e Rudisë, duke thënë se “kolegët perëndimorë e kanë futur veten në një histeri ushtarake”, duke shtuar se edhe “vetë elita ukrainase është trembur disi nga vetë frika e perëndimit”.
I pyetur nga ligjvënësit nëse Rusia mund të zgjerojë bashkëpunimin ushtarak me Kubën, Venezuelën dhe Nikaraguan si pjesë e masave të saj hakmarrëse, zoti Lavrov u përgjigj se Moska ka lidhje të ngushta me to dhe po kërkon t’i thellojë marrëdhëniet. Ai vuri në dukje se Presidenti Puti zhvilloi biseda telefonike me udhëheqësit e tre vendeve javën e kaluar dhe ata ranë dakord të “shqyrtojnë mënyra për të thelluar më tej bashkëpunimin strategjik”.
Në fillim të këtij muaji, zëvendësi i ministrit Lavrov refuzoi në mënyrë të prerë të përjashtonte dislokimin e pajisjeve ushtarake ruse në Kubë dhe Venezuelë, nëse kërkesat e sigurisë së Moskës nuk do të përmbusheshin./ZiA
NATO njoftoi këtë javë se do të përforcojë forcat në rajonin e Detin Balltik dhe Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar 8,500 trupa në gadishmëri për dislokim të mundshëm në Evropë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, përpjekjet diplomatike vazhdojnë ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja shtojnë përgatitjet e tyre ushtarake.
Grumbullimi ushtarak i Rusisë përgjatë kufirit të saj me Ukrainën dhe Bjellorusinë po vazhdon, tha presidenti Joe Biden para gazetarëve në Uashington të martën, duke shtuar se ai tani është gati të rrisë praninë amerikane dhe të NATO-s në Evropën Lindore, por nuk do të dërgojë trupa amerikane në Ukrainë.
“Ia bëra të qartë presidentit Putin se nëse do të shkonte në Ukrainë, do të kishte pasoja të rënda, përfshirë sanksione të rëndësishme ekonomike. Ndihem i detyruar të forcoj praninë tonë, praninë e NATO-s, në frontin lindor, Poloni, Rumani etj“, tha presidenti Biden.
I pyetur nëse do të konsideronte sanksione personale ndaj Presidentit rus Vladimir Putin, Bideni tha se PO, do ta bënte.
Shtetet e Bashkuara, Britania, Australia dhe Gjermania kanë urdhëruar familjet e diplomatëve që jetojnë në Kiev të largohen nga Ukraina.
Disa zyrtarë ukrainas thonë se kjo është e nxituar.
“Ne duhet të qëndrojmë të qetë sot. Në realitet, ne nuk e shohim situatën që po fryhet tani në media”, tha Oleksiy Danilov, sekretar i Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare të Ukrainës.
E pyetur nëse Shtetet e Bashkuara pajtohem me vlerësimin e Ukrainës, sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha.
“Askush nuk mund të hyjë në mendjen e Presidentit Putin apo udhëheqjes ruse. Kemi parë një sërë përgatitjesh, përfshirë 100,000 trupat në kufi, retorikën luftarake dhe veprimet e tjera siç kemi folur këtu, përpjekjet për të përhapur dezinformata në të gjithë rajonin dhe madje edhe në botë, duke ngritur presupozimin për një pushtim”.
Të hënën, Presidenti Biden tha se pati një takim shumë të mirë dhe se Shtetet e Bashkuara janë në unitet të plotë me aleatët kryesorë evropianë.
Kancelari gjerman Olaf Scholz mirëpriti presidentin francez Emmanuel Macron në Berlin të martën dhe të dy ranë dakord se Rusia do të përballet me sanksione të rënda nëse pushton Ukrainën. Presidenti Macron tha se do të fliste me Presidentin Putin të premten.
Përpjekjet diplomatike vijnë pasi Rusia po dërgon trupa dhe pajisje ushtarake në Bjellorusi, duke shqetësuar vëzhguesit.
“Mendoj se trupat në Bjellorusi janë shqetësuese. Sigurisht kjo e pozicionon Rusinë më mirë nëse do të zgjidhte të hynte në Ukrainë. Vështirë të thuhet në këtë kohë nëse Presidenti Putin po bën bllof apo po përpiqet të arrijë atë që dëshiron pa luftë”, thotë William Hartung me Institutin Quincy.
Të shtunën, Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi një video të avionëve luftarakë rusë duke u nisur drejt Bjellorusisë për të marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta në shkurt. Rusia thotë se nuk po planifikon të pushtojë Ukrainën, pavarësisht nga grumbullimi i trupave dhe pajisjeve përgjatë kufirit dhe në Bjellorusi, dhe po akuzon Shtetet e Bashkuara për “përshkallëzimin e situatës”.
Ndërprerja e qasjes së Rusisë tek dollari amerikan dhe bankat ndërkombëtare janë pasojat me të cilat Putini mund të ndeshet nëse e sulmon Ukrainën.
Ndëshkimet financiare që po shqyrtohen, nëse Rusia pushton Ukrainën, variojnë nga ato gjithëpërfshirëse deri tek ato personale për presidentin Vladimir Putin, nga ndërprerja e qasjes tek dollari amerikan dhe bankat ndërkombëtare e deri tek vendosja e sanksioneve ndaj një ish-gjimnasteje olimpike që mendohet të jetë e dashura e Putinit.
Publikisht, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë kanë premtuar se do ta godasin financiarisht Rusinë si kurrë më parë, nëse Putini fut ushtrinë e tij në Ukrainë. Megjithatë, udhëheqësit perëndimorë kanë dhënë hollësi të pakta për publikun, duke argumentuar se është më mirë që Putini të përpiqet të mendoj vetë për pasojat me të cilat mund të përballet.
Disa javë pas fillimit të negociatave, nuk është e qartë nëse amerikanët kanë arritur një konsensus me Evropën mbi llojin e sanksioneve dhe mënyrën se si duhet ndëshkuar Rusia.
Disa nga veprimet që po shqyrtohen janë të natyrës financiare.
GODITJA E SHPEJTË
Për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë, heqja e Rusisë nga sistemi financiar SWIFT, i cili mundëson transferimin e parave mes bankave anembanë globit, do të ishte një nga hapat më të ashpër financiarë që mund të merren, duke dëmtuar ekonominë e Rusisë menjëherë dhe në aspektin afatgjatë. Masa mund ta përjashtojë Rusinë nga shumica e transaksioneve financiare ndërkombëtare, duke përfshirë fitimet ndërkombëtare nga prodhimi i naftës dhe gazit, të cilat përbëjnë më shumë se 40% të totalit të të ardhurave të vendit.
Aleatët në të dyja anët e Atlantikut e konsideruan këtë alternativë edhe në vitin 2014, kur Rusia pushtoi dhe aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë dhe mbështeti forcat separatiste në Ukrainën lindore. Rusia deklaroi atëherë se përjashtimi i saj nga sistemi financiar SWIFT do të ishte ekuivalent me një vendim për t’i shpall asaj luftë. Aleatët, të cilët që nga ajo kohë u kritikuan për reagim shumë të dobët ndaj agresionit të Rusisë në vitin 2014, hoqën dorë nga kjo ide.
Qysh atëherë Rusia është përpjekur të zhvillojë sistemin e saj të transfertave financiare, me sukses të kufizuar.
Shtetet e Bashkuara kanë arritur më parë të bindin sistemin SWIFT që të përjashtojë një vend, Iranin, për shkak të programit të tij bërthamor.
Por përjashtimi i Rusisë nga sistemi SWIFT do të dëmtonte gjithashtu ekonomitë e tjera, duke përfshirë edhe atë të Shteteve të Bashkuara dhe aleatit të saj kryesor, Gjermaninë. Ligjvënësit amerikanë thanë javën e kaluar se administrata e Presidentit Biden është ende duke analizuar pasojat negative të këtij veprimi. Ministrja e jashtme e Gjermaninë, Annalena Baerbock, kur u pyet nga gazetarët në lidhje me mundësinë e përjashtimit të Rusisë nga sistemi SWIFT, shprehu dyshime për efektshmërinë e një veprimi të tillë.
“Shkopi më i fortë nuk është gjithmonë arma më inteligjente”, tha zonja Baerbock.
NDËRPRERJA E QASJES TEK DOLLARI
Shtetet e Bashkuara tashmë kanë një nga armët më të fuqishme financiare për të përdorur kundër Putinit nëse ai e pushton Ukrainën, atë të bllokimi të qasjes së Rusisë tek dollari amerikan.
Dollari ende dominon transaksionet financiare në mbarë botën, transaksionet ditore arrijnë në triliona dollarë.
Transaksionet në dollarë amerikanë përfundimisht miratohen përmes Rezervës Federale ose institucioneve financiare amerikane. Kjo do t’ia vështirësonte Putinit qasjen në sistemin financiar të Shteteve të Bashkuara, duke eliminuar mundësinë për të bërë pagesat në dollarë.
Presidenti Biden u ka thënë gazetarëve se heqja e aftësisë së Rusisë dhe rusëve për të bërë transaksione me dollarë amerikanë është një nga opsionet që Shtetet e Bashkuara janë duke shqyrtuar. Ndryshe nga përjashtimi nga sistemi SWIFT dhe masat e tjera financiare, ndërpreja e qasjes tek dollari është një masë që Shtetet e Bashkuara mund ta bëjnë të vetme. Shumë rusë dhe kompani ruse do të pengoheshin në kryerjen madje edhe të transaksioneve më rutinë, si listat e pagave ose blerja e gjërave, sepse nuk do të kishin qasje në sistemin bankar të Shtetevet të Bashkuara.
KONTROLLET MBI EKSPORTIN
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së kontrolleve ndaj eksportit, duke ia hequr Rusisë qasjen tek teknologjia dhe programet e sofistikuara që ndihmojnë trafikun e avionëve luftarakë, atë të pasagjerëve, tabletave, video-lojrat dhe televizorët e sofistikuar.
Kjo mund të përfshijë futjen e Rusisë në grupin më kufizues të vendeve për qëllime të kontrollit të eksportit, duke e radhitur atë me Kubën, Iranin, Korenë e Veriut dhe Sirinë, thanë zyrtarët.
Sanksione të tilla mund të vënë në shënjestër edhe industritë kritike ruse, duke përfshirë sektorët e saj të mbrojtjes dhe të aviacionit civil, gjë që do të godiste ambicjet e teknologjisë së lartë të Rusisë, si inteligjenca artificiale dhe informatikën kuantike.
TREGU I AKSIONEVE
Administrata e Presidenti Biden kufizoi aftësinë e Rusisë për të marrë hua duke i ndaluar institucionet financiare amerikane të blejnë bono thesari të qeverisë ruse drejtpërdrejt nga institucionet shtetërore vitin e kaluar. Por sanksionet nuk goditën tregun dytësor, duke e lënë këtë si një hap të mundshëm të ardhshëm.
GAZSJELLËSI NORDSTREAM 2
Republikanët dhe demokratët në Kongres luftuan për vite me radhë kundër zgjerimit të gazsjellësit të ri rus Nord Stream 2 drejt Gjermanisë, duke argumentuar se ai do ta ndihmonte Rusinë të përdorte kontrollin e furnizimit me gaz si një mjet për të arritur synimet e politikës së saj në Evropë. Projektligjet rivale në Kongres do të vendosnin sanksione ndaj operatorëve të gazsjellësit. Republikanët duan të vendosin sanksionet menjëherë, por demokratët thonë se kjo duhet bërë vetëm nëse Rusia e sulmon Ukrainën.
Administrata e Presidentit Biden më parë ka hezituar të vendosë sanksione të këtij niveli për të shmangur përplasjen me Gjermaninë aleate.
Zyrtarët gjermanë thonë se bllokimi i funksionimit të gazsjellësit nëse Rusia hyn në Ukrainë mund të jetë një alternativë nëse Rusia e pushton Ukrainën, por ata nuk kanë dhënë hollësi të tjera për këtë në komentet e tyre publike.
OLIGARKËT DHE E DASHURA E PUTINIT
Një nga taktikat më të përdorura të sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara është vendosja e sanksioneve ndaj rrethit të ngushtë të udhëheqësve, familjeve dhe qarqeve ushtarake dhe civile. Putini, miqtë dhe familja e tij mund të përballen gjithashtu me këtë taktikë, së bashku me oligarkët e fuqishëm të biznesit në Rusi dhe bankat e tyre.
Projekt-ligji gjithëpërfshirës i propozuar nga ligjvënësi republikan i Indianës, Jim Banks, i përkrahur nga gati 40 ligjvënës të tjerë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve, do të fillonte me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë edhe përpara një sulmi tjetër rus ndaj Ukrainës, duke përfshirë përjashtimin nga sistemi financiar SWIFT dhe sanksionet që lidhne me gazjellësin Nord Stream 2.
Masat e parashikuara në projekt-ligjin republikan përfshijnë vendosjen e sanksioneve ndaj më shumë zyrtarëve të lartë të Rusisë, familjes së presidentit rus dhe një grua që njoftohet se ka lidhje romantike me zotin Putin, Alina Kabaeva, e cila fitoi medaljen e artë në gjimnastikë në lojrat olimpike të vitit 2004.
Departamenti amerikan i Shtetit urdhëroi të dielën largimin e pjesëtarëve të familjeve të personelit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kiev dhe autorizoi largimin vullnetar të punonjësve amerikanë, për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm nga veprimet ushtarake ruse kundër Ukrainës.
Departamenti i Shtetit gjithashtu po u kërkon qytetarëve amerikanë në Ukrainë që të shqyrtojnë largimin nga vendi, qoftë duke përdorur udhëtimet komerciale apo mundësitë tjera private.
Departamenti i Shtetit ripublikoi paralajmërimin e nivelit të 4-të për udhëtimet në Ukrainë, në të cilin thuhet; “mos udhëtoni në Ukrainë për shkak të kërcënimeve të shtuara nga veprimet ushtarake ruse dhe COVID-19-tës”. Më parë, paralajmërimi i udhëtimit kishte qenë gjithashtu në nivelin e 4-të, për shkak të situatës me COVID-19.
Departamenti i Shtetit ripublikoi gjithashtu një paralajmërim të dielën mbrëma në lidhje me udhëtimet në Rusi; “mos udhëtoni në Rusi për shkak të tensionit të vazhdueshëm përgjatë kufirit me Ukrainën, mundësive për keqtrajtim ndaj qytetarëve amerikanë, aftësisë së kufizuar të ambasadës për të ndihmuar qytetarët amerikanë në Rusi, COVID-19-tës dhe kufizimeve të lidhura me hyrjen, terrorizmit, keqtrajtimeve nga zyrtarët e sigurisë së qeverisë ruse dhe zbatimit arbitrar të ligjit vendor”.
I pyetur për kohën e këtyre veprimeve, të dielën në mbrëmje në Uashington, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit u tha gazetarëve se ato janë lëshuar në sfondin e raporteve se Rusia po planifikon një veprim të rëndësishëm ushtarak kundër Ukrainës.
Zyrtari i Departamentit të Shtetit tha se kushtet e sigurisë, veçanërisht përgjatë kufijve të Ukrainës, në Krimenë e pushtuar nga Rusia dhe në Ukrainën lindore të kontrolluar nga Rusia, janë të paparashikueshme dhe mund të përkeqësohen shumë shpejt.
Zyrtari tha se presidenti Joe Biden ka thënë se një pushtim ushtarak rus i Ukrainës mund të ndodhë në çdo kohë dhe nëse ndodhë një gjë e tillë, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kiev do të kishte mundësi të kufizuara për të ndihmuar amerikanët që mund të duan të largohen nga vendi.
Zyrtarët e Departamentit të Shtetit, që folën me gazetarët, nuk pranuan të japin ndonjë vlerësim për numrin e amerikanëve që punojnë në ambasadën në Kiev, ose për numrin e amerikanëve që jetojnë në Ukrainë.
Zyrtarët e Departamentit të Shtetit thanë se këto urdhra po merren si një “masë paraprake e kujdesshme”, e cila në asnjë mënyrë nuk pengon mbështetjen amerikane për qeverinë e Ukrainës dhe se ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kiev, do të vazhdojë të funksionojë.
Departamenti i Shtetit u kërkoi, gjithashtu, të gjithë qytetarëve amerikanë në Ukrainë, që të plotësojnë një formular në internet, në mënyrë që Departamenti i Shtetit të mund të komunikojë më mirë me ta, duke thënë se kjo është veçanërisht e rëndësishme për qytetarët që planifikojnë të qëndrojnë në Ukrainë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi Rusinë të dielën se Uashingtoni i di “të gjitha taktikat dhe teknikat” që Moska mund të përdorë për të minuar qeverinë ukrainase, por do të vazhdojë të angazhohet në bisedime diplomatike, me shpresën për të lehtësuar tensionet në Evropën Lindore.
“Sigurisht, ka mundësi që rusët nuk janë aq sa të duhet të angazhuar në diplomaci dhe se diplomacia mund të mos ndikojë në vendimin e tyre përfundimtar, nëse do të pushtojnë apo do të ndërhyjnë në një mënyrë a një tjetër, në Ukrainë”, tha zoti Blinken, për rrjetin televiziv NBC. “Por ne kemi përgjegjësi për të vazhduar rrugën diplomatike, duke shkuar sa më larg të mundemi, sepse është mënyra më e përgjegjshme për t’i dhënë fund kësaj situate”, shtoi ai.
Në një intervistë më emisionin “State of the Union” të rrjetit CNN, sekretari Blinken përjashtoi mundësinë e vendosjes së menjëhershme të sanksioneve të ashpra ekonomike ndaj Moskës, të cilat Shtetet e Bashkuara janë zotuar t;i vendosin nëse presidenti rus Vladimir Putin, pushton Ukrainën. Rusia ka grumbulluar 127,000 trupa pikërisht përgjatë kufirit të saj me Ukrainën, një ish-republikë sovjetike.
“Nëse ato vendosen tani”, tha sekretari Blinken për sanksionet e mundshme, “humbasin ndikimin e tyre parandalues”.
Senatori republikan, Joni Ernst nga Iowa, duke folur pas sekretarit Blinken në CNN, kritikoi administratën e presidentit Joe Biden për qasjen ndaj Rusisë.
“Sanksionet duhet të vendosen tani”, tha senatori Ernst. “Presidenti Putin e kupton vetëm forcën. Ne duhet të jemi të vendosur”.
Sekretari Blinken nuk pranoi të komentojë mbi një raport të agjencive britanike te zbulimit se Moska po kërkonte të zëvendësojë qeverinë e Ukrainës me një administratë pro-ruse. Moska e hodhi poshtë një pretendim të tillë.
“Dezinformata e përhapur nga ministria e Jashtme britanike, është dëshmi se janë vendet e NATO-s, të udhëhequr nga anglo-saksonët, ato që po përshkallëzojnë tensionet rreth Ukrainës”, tha zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, në një postim ne rrjetin Telegram. “Ne i bëjmë thirrje ministrisë së Jashtme britanike, t’u jap fund veprimtarive provokuese, t’i jap fund përhapjes së marrëzive”, tha ajo.
Rusia ka paraqitur disa kërkesa ndaj Shteteve të Bashkuara, përfshirë ndalimin e zgjerimit të NATO-s drejt lindjes dhe një zotim se Ukraina nuk do t’i bashkohet aleancës ushtarake perëndimore, gjë që Uashingtoni e ka cilësuar të papranueshme.
*Disa pjesë për këtë artikull u morën nga agjencia e lajmeve Associated Press,