VOAL

VOAL

Gjykatësi gjobit ish-presidentin Trump për mosrespektim të gjykatës

VOA

Një gjykatës i Nju Jorkut tha të hënën se ish-presidenti Donald Trump shpërfilli autoritetin e gjykatës, duke mos iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme një thirrjeje të lëshuar nga Prokurorja e Përgjithshme e shtetit të Nju Jorkut, në kuadër të një hetimi civil mbi bizneset e tij.

Gjykatësi Arthur Engoron urdhëroi zotin Trump të paguajë një gjobë prej 10,000 dollarësh në ditë.

“Zoti Trump, e di që ti e merr seriozisht biznesin tënd dhe unë e marr seriozisht detyrën time”, tha gjykatësi Engoron përpara se të jepte vendimin nga gjykata në një sallë gjyqi në Manhatan.

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, një demokrate, i kishte kërkuar gjykatës ta mbante përgjegjës zotin Trump pasi ai shkeli një afat të caktuar nga gjykata më 31 mars për të dorëzuar dokumentet. Gjykatësi tha se konstatimi për mosrespektim të gjykatës ishte i përshtatshëm sepse zoti Trump dhe avokatët e tij nuk kishin treguar se ishin përpjekur me seriozitet të siguronin dokumentet e kërkuara.

Ish-presidenti republikan Donald Trump është përballur me prokuroren James në gjykatë për hetimin e saj, të cilin ai e ka quajtur një “gjueti shtrigash” të motivuar politikisht.

Prokurorja James ka kryer një hetim të gjatë mbi Organizatën Trump, kompaninë e familjes së ish-presidentit, duke u përqendruar tek ajo që ajo thotë se është një prirje për të mashtruar autoriteteve tatimore mbi vlerën e pronave të tij.

Vendimi i gjykatësit erdhi pavarësisht nga këmbënguljet e vazhdueshme të avokates së zotit Trump, Alina Habba, se ajo kishte bërë përpjekje të mëdha për të respektuar kërkesën, madje duke udhëtuar në Florida për të pyetur konkretisht zotin Trump nëse ai kishte në posedim ndonjë dokument që ka lidhje me kërkesën e gjykatës.

“Mocioni për shpërfillje të gjykatës është i papërshtatshëm dhe i gabuar”, tha ajo. “Ai ka respektuar kërkesën e gjykatës… nuk ka më dokumente që mund të dorëzohen nga Presidenti Trump.”

Zëdhënësit e zotit Trump nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.

Hetuesit e prokurores James kanë thënë në dosjet gjyqësore se kanë zbuluar prova se zoti Trump mund të ketë deklaruar në mënyrë të pasaktë vlerën e pronave të tij, si ajo e një fushe golfi dhe gradaçelat, në raportet e tij financiare për më shumë se një dekadë.

Një hetim penal paralel po zhvillohet për këtë çështje nga Prokurori tjetër demokrat i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg.

Kryeministri i Ukrainës në SHBA takohet edhe me kreun e Pentagonit

Kryeministri i Ukrainës Denys Shmyhal ndodhet për vizitë zyrtare në SHBA, në Pentagon, ku është pritur nga Presidenti Biden dhe nga krerët më të lartë të administratës amerikane.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se më 21 prill, Presidenti amerikan Joe Biden u takua me kryeministrin e Ukrainës Shmyhal në mëngjes. “Udhëheqësit diskutuan zhvillimet e fundit në luftën brutale të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Presidenti Biden përcolli angazhimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara për të mbështetur popullin e Ukrainës dhe për të imponuar kosto ndaj Rusisë. Ai parashikoi gjithashtu njoftimin e tij sot për një ndihmë shtesë prej 800 milionë dollarësh për sigurinë dhe 500 milionë dollarë mbështetje ekonomike.”

Edhe Kryetarja Nensi Pelosi e mirëpriti në takim Denys Shmyhal, Kryeministrin e Ukrainës.

Njoftimet i ka dhënë  po ashtu edhe vetë Kryeministri ukrainas Shmyhal në Twitter.

Ai sot njoftoi se është takuar edhe me Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd Austin  në Pentagon.

“Theksoj se furnizimi i vazhdueshëm me armë moderne do të na sjellë më pranë fitores. Faleminderit për mbështetjen e forte”, nënvizon Shmyhal që ka publikuar edhe fotografi nga takimet që ka pasur në Uashington.

Ndër to, “embargoja e importeve të naftës, gazit dhe karburantit bërthamor nga Rusia është një hap i rëndësishëm në dobësimin e makinës ushtarake. Kjo u theksua në takimin me Sekretaren Gina Raimondo, ku diskutuam çështjet e liberalizimit të tregtisë. Po forcojmë bashkëpunimin Ukrainë – SHBA në drejtime të ndryshme“

Të mbijetuarat e abuzuara nga Larry Nassar, kërkojnë 130 milionë dëmshpërblim nga FBI-ja

VOA/Marrë nga Reuters

Trembëdhjetë të mbijetuara të paidentifikuara që ishin abuzuar seksualisht nga ish-mjeku i Shoqatës amerikane të Gjimnastikës Larry Nassar po kërkojnë 130 milionë dollarë dëmshpërblim nga FBI-ja me akuzat se dështoi në hetimin ndaj tij, thanë avokatët e tyre të enjten.

Individët thonë se dështimi i FBI-së për të hetuar siç duhet ish-mjekun Nassar pasi u njoftuan për disa nga akuzat kundër tij, përbënte një abuzim të dytë për ta. Secila nga të mbijetuarat po paraqet një kërkesë për dëmshpërblim.

“Ky është dështimi më i madh nga ana e zbatimit të ligjit në historinë e botës, pasi ka të bëjë me mbrojtjen e fëmijëve dhe duhet të ketë përgjegjësi institucionale për t’u siguruar që kjo të mos ndodhë më,” tha në një deklaratë avokati Jamie White.

FBI iu përgjigj një kërkese për koment nga ana e agjencisë Reuters, duke iu referuar komenteve të bëra nga drejtori Christopher Wray përpara Komisionit juridik të Senatit në shtator.

Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit amerikan të Drejtësisë tha në korrik se FBI-ja zvarriti hetimin për akuzat për abuzim seksual kundër Nassarit, i cili u dënua në vitin 2018 me deri në 175 vjet burg për abuzim ndaj gjimnasteve të reja.

Ai akuzoi gjithashtu dy zyrtarë të FBI-së për gënjeshtra për të mbuluar “gabime të shumta dhe thelbësore” që lejuan abuzimin e Nasarit të vazhdonte.

McKayla Maroney, një nga gjimnastet e ekipit fitues së medaljes së artë olimpike në Londër 2012, i tha Komisionit Juridik të Senatit në shtator se ajo kishte qendruar tre orë në një telefonatë me FBI-në në vitin 2015 duke treguar me hollësi historinë e saj, por se agjencia e zbatimit të ligjit dështoi ta dokumentonte dëshminë e saj për një vit e gjysmë dhe i kishte shtrembëruar komentet e saj.

Avokatët e 13 individëve thanë se pretendimet e dëmshpërblimit mund t’i paraprijnë një padie civile dhe se FBI-ja ka gjashtë muaj për t’u përgjigjur.

“Askush nuk duhet të ishte abuzuar pas verës së vitit 2015, sepse FBI-ja duhet të kishte bërë punën e saj,” tha në një deklaratë Grace French, një e mbijetuar e Nassarit dhe themeluese e grupit “Ushtria e të Mbijetuarave”.

“Më neverit fakti se FBI-ja mund të kishte ndihmuar për të shmangur këtë traumë,” tha ajo.

Pentagoni minimizon provën me raketë të re balistike të Rusisë

VOA/Marrë nga Associated Press

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby minimizoi provën e Rusisë me një raketë të re balistike ndërkontinentale, për të cilën Kremlini thotë se do të jetë në qendër të strategjisë së tij bërthamore.

Presidenti rus Vladimir Putin e quan raketën “Sarmat” një armë me aftësi unike që mund të depërtojë sistemet e mbrojtjes nga raketat. Shefi i agjencisë ruse të hapësirës Dmitry Rogozin e quajti në mënyrë provokative provën e së mërkurës me këtë raketë si “një dhuratë për NATO-n”

Por zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha se “Rusia njoftoi siç duhet Shtetet e Bashkuara në bazë të detyrimeve të saj bazuar në marrëveshjen e re START që po planifikonte të bënte këtë provë me raketë balistike ndërkontinentiale. Provat e tilla janë rutinë. Nuk ishte një surprizë. Ne nuk e konsideruam provën si një kërcënim për Shtetet e Bashkuara ose aleatët e saj.”

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi lëshimin e parë të raketës së re balistike ndërkontinentale “Sarmat”. Presidenti Vladimir Putin tha se kjo armë është unike dhe do t’i bëjë ata që kërcënojnë Rusinë “të mendojnë dy herë”.

Ministria rusa e mbrojtjes tha se raketa u lëshua të mërkurën nga baza Plesetsk në Rusinë veriore dhe mbushjet e saj praktike goditën objektivat e përcaktuara në poligonin e qitjes Kura në Gadishullin e largët lindor të Kamçatkës.

“Sarmat” është një raketë e rëndë, që pritet të zëvendësojë raketën “Voyevoda” të prodhimit sovjetik, e cila është quajtur “Satani” nga Perëndimi. Presidenti Putin tha se ajo mund të depërtojë çdo sistem të të mundshëm të mbrojtjes raketore.

Zoti Putin e quajti këtë “një ngjarje të madhe, domethënëse” për industrinë ruse të mbrojtjes. Ai tha se “Sarmat” do të garantojë sigurinë e Rusisë nga kërcënimet e jashtme dhe “i bën ata që, në kulmin e retorikës së furishme, agresive, përpiqen të kërcënojnë vendin tonë, të mendojnë dy herë”.

Rusia mbështetet në raketat balistike ndërkontinentale me mbushje bërthamore, përfshirë raketën “Sarmat” për strategjinë e saj të frenimit të një sulmi ndaj saj nga një vend tjetër. Shtetet e Bashkuara kanë raketat e saj balistike me aftësi bërthamore, por kohët e fundit anuluan një provë me këtë lloj arme për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve.

Senatorët amerikanë i kërkojnë Serbisë të harmonizojë politikën e saj të Jashtme me BE-në

VOA

Senatorët amerikanë, Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Thom Tillis, thanë të martën në Beograd se Serbia duhet të harmonizojë politikën e saj të Jashtme me atë të Bashkimit Evropian.

Ata i bënë këto komente pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke theksuar se “në këtë moment historik është me rëndësi që vendet demokratike të Evropës t’i dërgojnë mesazh të qartë Rusisë dhe të kërkojnë llogari”.

Të tre senatorët po qëndrojnë në rajon në kohën e agresionit rus në Ukrainë dhe shqetësimeve për ndikimet e konfliktit edhe në Ballkanin Perëndimor.

“Ndërsa Rusia vazhdon të humbasë në Ukrainë, ajo do të përpiqet të krijojë probleme në rajonet e brishta në afërsi. Unë jam në Serbi, Kosovë dhe Bosnje këtë javë me senatoren Shaheen dhe senatorin Thom Tillis, për të forcuar lidhjet e Shteteve të Bashkuara me Ballkanin, përballë përpjekjeve të huaja për të dëmtuar paqen”, shkroi në rrjetet sociale para takimeve në Beograd senatori Chris Murphy.

Ai tha se gjatë bisedimeve me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, i është thënë se synohet një bashkësi e vendeve demokratike që do të dënojnë agresionin rus në Ukrainë.

“I kuptojmë lidhjet historike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Vazhdojmë të mbështesim Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa kemi ardhur të forcojmë marrëdhëniet e mira që ka ajo me Shtetet e Bashkuara”, tha senatori Murphy.

Senatorja Shaheen tha se është biseduar për sanksionet kundër Rusisë dhe se diskutimet rreth tyre do të vazhdojnë.

“Siç tha edhe presidenti serb, e ardhmja e Serbisë është në perëndim me pjesën tjetër të Evropës dhe ajo ecën në atë drejtim me lidhjet tregtare, të biznesit dhe investimeve. Nëse ky është synimi, atëherë gjithsesi duhet të keni politikë të Jashtme të harmonizuar me Bashkimin Evropian”, tha senatorja Shaheen.

Beogradi ka votuar kundër Rusisë tre herë në Kombet e Bashkuara, por nuk ka vendosur sanksione kundër saj. Një aleate e vjetër e Serbisë, Moska mbështete qëndrimin e Beogradit për të mos njohur pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Senatori Murhy tha se është i zhgënjyer me mungesën e përparimit në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi dhe se për këtë çështje do të diskutohet edhe në Prishtinë më vonë gjatë kësaj jave.

Senatorët amerikanë thanë të martën gjithashtu se nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, duhet të rishqyrtojë armatosjen e saj nga Rusia dhe Kina.

“Në planin afatgjatë, mendoj se çdo vend duhet të marrë një vendim nëse është në interesin e tyre më të mirë të sigurisë lidhja me Kinën. Nëse Serbia synon të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, atëherë ndoshta nuk është në interesin e saj afatgjatë që të ketë një marrëdhënie sigurie me Kinën”, tha senatori Murphy.

Në fillim të këtij muaji, Kina i dorëzoi Beogradit një sistem të mbrojtjes ajrore, me gjithë paralajmërimet e mëparshme amerikane se Serbia nëse dëshiron integrimet perëndimore, duhet të përafrojë ushtrinë e saj me standardet perëndimore.

Pranimi i armëve kineze nxiti reagime mes shqetësimeve perëndimore se një grumbullim i armëve në Ballkan në kohën e luftës në Ukrainë, mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon.

Sekretarja e Thesarit deklaron: Do të shtojmë sanksionet ndaj Rusisë, do e izolojmë Putinin!

Sekretarja e Thesarit e SHBA, Janet Yellen ka bërë thirrje për më shumë sanksione ndaj Rusisë. Ajo ka thënë se do të lobojë në anëtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore për të rritur presionin financiar ndaj Moskës, si hakmarrje për agresionin e tyre të vazhdueshëm.

Në komentet javën e kaluar, Yellen dënoi “sulmin e paprovokuar të Vladimir Putin ndaj Ukrainës”.

“Derisa Putini të përfundojë luftën e tij të tmerrshme, administrata Biden do të punojë me partnerët tanë për ta shtyrë Rusinë më tej drejt izolimit ekonomik, financiar dhe strategjik”, tha ajo.

Vërejtjet e saj i bëjnë jehonë edhe të Presidentit Joe Biden, i cili ka thënë se Rusia duhet të përjashtohet nga G20 dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Yellen do të mbledhë një panel të martën për të diskutuar përgjigjen ndërkombëtare ndaj një krize të sigurisë ushqimore të përkeqësuar nga pushtimi rus, tha Departamenti i Thesarit. bw

SHBA synon ta përfshijë Ukrainën në axhendën e G-20ës

Administrata e Presidentit Biden duket se dëshiron ta përfshijë diskutimin rreth ndikimit të sulmit të Rusisë tek ekonomia ndërkombëtare, si dhe të një rindërtimi të mundshëm të Ukrainës, në axhendën e takimit të Grupit të 20-shes që do të mbahet në nëntor. Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, kjo mund të krijojë ndasi të mëtejshme në këtë forum ekonomik.

Ndërsa lufta vazhdon në Ukrainë, Presidenti Joe Biden dëshiron largimin e Rusisë nga grupi i 20 ekonomive më të mëdha dhe përfshirjen e pasojave të sulmit në axhendën e takimit të G-20ës, i tha Zërit të Amerikës Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

“Nuk është e pazakontë që ngjarjet që ndikojnë tek komuniteti global, si Ukraina dhe sulmi rus në Ukrainë, të luajnë një rol qendror në forumet ndërkombëtare. Në rimëkëmbjen ekonomike dhe rindërtimin e tyre do të përfshihet komuniteti global”, tha zonja Psaki.

Kjo e vendos në një pozicion të vështirë Presidentin e Indonezisë, Joko Widodo, i cili kryeson këtë vit G-20ën dhe do të jetë organizator i takimit të nëntorit në Bali.

Vendet anëtare që nuk konsiderohen fuqi të mëdha kanë një axhendë të tyren.

“Dëshira e Presidentit Widodo është që të sigurohet që do të ruhet mandati i G-20ës, të sigurohet, si përfaqësues i ekonomive në rritje, se axhenda e rimëkëmbjes nga pandemia do të jetë e përballueshme për të gjithë”, thotë Dinna Prapto Raharja, nga organizata studimore “Synergy Policies”.

Pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, Moska u përjashtua nga grupi i vendeve më të industrializuara, i mirënjohur tashmë si G-7.

Megjithatë, ka pak gjasa që Rusia të përjashtohet nga G-20, një grup shumë më i gjerë, me interesa shumë më konkuruese dhe që nuk ka një mekanizëm formal për të përjashtuar një vend anëtar.

Deri më tani, Presidenti rus Vladimir Putin duket se synon të marrë pjesë në takim, me mbështetjen e Kinës.

“Presidenti Biden nuk do të ulet në të njëjtën sallë. Do të thoja që po kështu do të veprojë Kryeministri Trudeau dhe disa prej evropianëve. Kjo do ta vendoste Xhakartën në një pozicion shumë të vështirë. A do të jenë të gatshëm të pranojnë pjesëmarrjen e Putinit dhe të humbasin pesë apo gjashtë pjesëmarrës të tjerë?”, thotë Gregory B. Poling, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Ambasadori Dian Triansyah Djani, bashkëdrejtues në G-20, i tha Zërit të Amerikës se Indonezia do të dëgjojë pikëpamjet e vendeve anëtare, duke ruajtur ndërkohë rolin e G-20ës si një forum i bashkëpunimit ekonomik.

Në përgjigje të kritikave se kërkesat e Perëndimit për të përjashtuar Moskën nuk ndihmojnë axhendën e takimit dhe krijojnë ndasi, zonja Psaki tha se zoti Putin është bërë një “person i padëshirueshëm në botë” dhe se ai “nuk ka vend në forumet ndërkombëtare”.

SHBA akuza të fortë ndaj Rusisë: Tre rusë i ofruan kongresmenit një udhëtim falas, tentuan ta korruptonin, ja ç’po kërkojnë të bëjnë

Prokurorët federalë në New York bënë të enjten një aktakuzë duke deklaruar se një anëtar i legjislaturës ruse dhe dy nga stafi i tij, kanë orkestruar një fushate propagande dhe dezinformimi që synonte ligjvënësit amerikanë.

Aleksandr Babakov, nënkryetari i Dumës së Shtetit Rus dhe punonjësit e tij Aleksandr Vorobev dhe Mikhail Plisyuk, u akuzuan për komplot për të vepruar në SHBA si agjent të huaj të paregjistruar, komplot për të shkelur sanksionet e SHBA dhe komplot për të kryer mashtrime me viza.

Si pjesë e skemës së supozuar, në vitin 2017, prokurorët thanë se rusët dyshohet se kanë shkelur ligjet e sanksioneve të SHBA-së duke kërkuar të rekrutojnë të paktën një biznesmen amerikan dhe të paktën një kongresmen në një udhëtim të paguar me të gjitha shpenzimet prej tyre, për të marrë pjesë në një konferencë në Jaltë, një zonë në Krimea, e kontrolluar nga Rusia, në favor të Sergey Aksyonov, një rus i vendosur në listën e zezë të sanksioneve të SHBA-së pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Kongresmeni, i cili nuk u identifikua, nuk e pranoi ftesën, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, prokurorët pretendojnë se burrat kishin planifikuar të ndikonin në politikën e SHBA-së ndaj Rusisë nga viti 2012 deri në vitin 2017 “nëpërmjet ngjarjeve të inskenuara, propagandës me pagesë dhe rekrutimit të të paktën një qytetari amerikan për të bërë ofertat e tyre në funksione jozyrtare”.

Gjithashtu në vitin 2017, prokurorët thonë se Babakov kërkoi një takim me një kongresmen në Uashington përmes shtetasit amerikan dhe Babakov dhe punonjësit e tij falsifikuan aplikimet për vizë duke thënë se po udhëtonin veçmas dhe për pushime.

Shtetet e Bashkuara i vendosën këta tre persona në listën e sanksioneve të SHBA-së në vitin 2017, kështu që atyre iu refuzuan vizat dhe nuk u zhvilluan takime, thanë prokurorët.

Babakov, një ligjvënës pro-Vladimir Putin, u sanksionua gjithashtu nga Bashkimi Evropian për votimin në favor të një projektligji rus që aneksonte Krimenë në vitin 2014.

Tashmë rusët në fjalë ndodhen në Rusi dhe mbeten të lirë, thanë prokurorët. Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së po kërkon konfiskimin e çdo pasurie, anijeje, avionësh të përdorur ose të gjurmuar në të ardhurat e marra nga krimet e dyshuara.

Rusët, pretendon aktakuza, përdorën një organizatë jofitimprurëse me bazë në Rusi, Institutin për Studime të Integrimit Ndërkombëtar, si një front për aktivitetet e tyre.

“Akuza e sotme tregon se veprimet e paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës shtrihen përtej fushës së betejës, pasi ndikuesit politikë nën kontrollin e Rusisë dyshohet se komplotuan për të drejtuar ndryshime gjeopolitike në favor të Rusisë përmes mjeteve të fshehta dhe të paligjshme në SHBA dhe gjetkë në Perëndim”, shtoi Williams. bw

Hill: Serbia s’mund të ketë raporte me Rusinë çfarë i ka pasur, të vendos vetë a do të hyjë në NATO

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se asnjë shtet në Evropë e as Serbia s’mund të ketë raporte me Rusinë çfarë i ka pasur para 24 shkurtit. Hill ka folur në një konferencë të organizuar nga Këshilli EuroAtlantik i Serbisë mbi pozicionin e Serbisë në komunitetin Euro-Atlantik.

Ambasadori Hill ka thënë se ShBA-ja do të përkrahte Serbinë nëse do të shprehte dëshirën të hyjë në NATO por që është çështje për të cilën shteti serb duhet të vendos vetë, transmeton Gazeta Express.

“I takon Serbisë dhe popullit të Serbisë që të përcaktojë nevojat e tyre të sigurisë. Ne jemi të gatshëm të mbështesim aspiratat e Serbisë dhe ajo duhet të shikojë nga e ardhmja dhe çfarë mund të arrijë për veten e saj. Si anëtare e NATO-s theksoj se i takon Serbisë të vendosë, nëse do të ishte zgjedhje, nëse do të ishte dëshirë, ashtu siç dëshiron Serbia të anëtarësohet në BE, ku ne e mbështesim Serbinë dhe nëse Serbia do të donte të anëtarësohej në NATO, atëherë do të kishte edhe shumë zgjedhje të vështira që do të duhej t’i bënte, shumë procedura për të përmbushur dhe ne do ta ndihmonim Serbinë, por dua të theksoj përsëri, nuk varet nga ne por nga vetë Serbia”, tha Hill.

Diplomati amerikan tha se marrëdhëniet me Rusinë s’mund të kthehen në ato që ishin para 24 shkurtit.

“Presidenti Biden e ka bërë të qartë se nuk ka kthim mbrapa. Dyshoj se ndonjë vend në Evropë, përfshirë edhe Serbinë, do të ketë të njëjtat marrëdhënie me Rusinë si para 24 shkurtit 2022. Ka shumë gjëra në të kaluarën, për të folur se si të shikohet e kaluara, sepse është detyrë e avokatëve, jo vetëm historianëve, por e vetmja detyrë e diplomatëve është të shohin përpara dhe çfarë elementesh do të jetë e nevojshme për të ndërtuar marrëdhënie dypalëshe duke respektuar dëshirat e njëri-tjetrit”, tha ai.

Shefi i CIA-s: Kërcënimi bërthamor nga Rusia, nuk duhet marrë lehtë

VOA/Marrë nga Reuters

Kërcënimi se Rusia mund të përdorë potencialisht armë bërthamore taktike në Ukrainë nuk është diçka që mund të merret lehtë, tha të enjten drejtori i CIA-s William Burns, por ai shtoi se Uashingtoni nuk ka parë shumë prova praktike që e përforcojnë këtë shqetësim.

Këto janë disa nga komentet më të gjera që zoti Burns ka bërë publikisht që kur Rusia nisi sulmin në Ukrainë më 24 shkurt. Ato nënvizojnë shqetësimet se sulmi më i madh kundër një shteti në Evropë që nga viti 1945, rrezikon të përshkallëzohet në përdorimin e armëve bërthamore.

Gjatë një takimi, William Burns tha se duke patur parasysh dëshpërimin e mundshëm të Presidentit Putin mbi ecurinë e luftimeve, pengesat me të cilat trupat ruse janë përballur deri më tani, askush nuk mund ta marrë lehtë kërcënimin e paraqitur nga një përdorim i mundshëm i armëve bërthamore taktike.

Armët bërthamore taktike i referohen atyre të prodhuara për përdorim në fushën e betejës. Disa ekspertë vlerësojnë se Rusia ka rreth 2000 të tilla, që mund të nisen nga forcat ajrore, detare dhe tokësore.

Por sot zoti Burns e quati Kinën “një partner të heshtur të agresionin të Putinit kundër Ukrainës”.

Komentet e zotit Burns ishin si përgjigje ndaj një pyetjeje nga ish-senatori amerikan Sam Nunn, një mbështetësit kryesor i politikave mbi kontrollin e armëve.

‘Profeti i Kiametit’: Arrestimi i 62-vjeçarit që kreu sulmin në Nju Jork

Një person që ishte në kërkim lidhur me një sulm me armë zjarri në një tren metroje në Bruklin që shkaktoi plagosjen e 10 personave, u arrestua të mërkurën dhe u akuzua për një vepër terrorizmi federal pasi vetë i dyshuari telefonoi policinë duke i treguar vendndodhjen, thanë zyrtarët e rendit.

62 vjeçari Frank R. James, u arrestua në Manhatan rreth 30 orë pasi hapi zjarr në një tren, duke lënë pesë viktima në gjendje kritike dhe gjithë qytetin e Nju Jorkut në ankth, njofton Associated Press,

James pritet të gjykohet për një akuzë që ka të bëjë me sulme terroriste ose të tjera të dhunshme kundër sistemeve të transportit masiv dhe që mbart një dënim deri në burgim të përjetshëm, tha prokurori i Bruklinit, Breon Peace.

Policia kishte njoftuar të martën pasdite se po përpiqej të gjente personin, i cili besohej se kishte marrë me qira një furgon që ndoshta kishte lidhje me kryerjen e sulmit. Të mërkurën në mëngjes, autoritetet e Nju Jorkut thanë se ai ishte i dyshuar për vetë sulmin.

Autoritetet po analizonin video në media sociale, në të cilat 62-vjeçari kritikonte Shtetet e Bashkuara duke e quajtur një vend racist dhe të mbushur me dhunë dhe shante kryetarin e bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Eric Adams.

Por motivi i sulmit në metro mbetet i paqartë dhe nuk ka shenja që James kishte lidhje me organizata terroriste, tha zoti Peace.

Megjithatë, “ky komb ka lindur në dhunë, mbahet gjallë nga dhuna ose kërcënimi i saj dhe do të vdesë me vdekje të dhunshme,” thotë James në një video ku ai merr emrin “Profeti i Kiametit”. syri.net

Ushtria amerikane e konfirmon se një meteor ndëryjor ishte përplasur me Tokën

Një meteor përshkoi një rrugë të gjatë nga shtëpia për të vizituar Tokën në 2014-ën.

Studiuesit zbuluan meteorin e parë të njohur ndëryjor që e ka goditur Tokën, sipas një dokumenti të Komandës Hapësinore të Shteteve të Bashkuara të publikuar së fundmi.

Një meteor ndëryjor është një shkëmb hapësinor që e ka origjinën nga jashtë sistemit tonë diellor — një dukuri e rrallë kjo.

Ai është i njohur si CNEOS 2014-01-08 dhe zbriti me përplasje përgjatë bregut verilindor të Papua Guinesë së Re më 8 janar 2014.

Zbulimi erdhi si befasi për Amir Siraj, i cili e identifikoi objektin si një meteor ndëryjor në një studim të vitit 2019 ku ai ishte bashkëautor ndërsa ishte kërkues universitar në Universitetin e Harvardit.

Siraj po hetonte ‘Oumuamua, objektin e parë të njohur ndëryjor në sistemin tonë diellor që u gjet në vitin 2017, me Abraham Loeb, profesorin e shkencës në Universitetin e Harvardit.

Siraj vendosi të kalonte nëpër bazën e të dhënave të NASA-s për Studimet e Objekteve Afër Tokës për të gjetur objekte të tjera ndëryjore dhe gjeti atë që ai besonte se ishte një meteor ndëryjor brenda disa ditësh.

Nevoja për shpejtësi

Shpejtësia e lartë e meteorit është ajo që fillimisht i ra në sy Siraj.

Meteori po lëvizte me një shpejtësi të lartë prej rreth 28 milje në sekondë (45 kilometra në sekondë) në krahasim me Tokën, e cila po lëviz me rreth 18.6 milje në sekondë (30 kilometra në sekondë) rreth diellit.

Shpejtësia heliocentrike përcaktohet si shpejtësia e meteorit në raport me diellin, e cila është një mënyrë më e saktë për të përcaktuar orbitën e një objekti. Është llogaritur në bazë të këndit në të cilin një meteor godet Tokën. Planeti lëviz në një drejtim rreth diellit, kështu që meteori mund të ketë goditur Tokën kokë më kokë, që do të thotë në drejtim të kundërt të drejtimit që po lëviz planeti, ose nga prapa, në të njëjtin drejtim që lëviz Toka.

Meqenëse meteori goditi Tokën nga prapa, llogaritjet e Siraj thanë se meteori po udhëtonte me rreth 37.3 milje në sekondë (60 kilometra në sekondë) në krahasim me diellin.

Më pas ai përcaktoi trajektoren e meteorit dhe zbuloi se ishte në një orbitë të palidhur, ndryshe nga orbita e mbyllur e meteorëve të tjerë. Kjo do të thotë se në vend që të qarkullonte rreth diellit si meteorët e tjerë, ai erdhi nga jashtë sistemit diellor.

“Me sa duket, ai u prodhua nga një yll tjetër, u dëbua nga sistemi planetar i atij ylli dhe ashtu ndodhi që të hyjë në sistemin tonë diellor dhe të përplaset me Tokën,” tha Siraj. syri.net

Deklarata e fortë e zyrtarit amerikan: Shqipëria në listën gri në luftën kundër pastrimit të parave, shenjë turpi për vendin

Shqipëria vijon të jetë në listën gri të pastrimit të parave, mes vendeve që janë me monitorim të shtuar. Kështu deklaroi Drejtori i Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit në Ambasadën Amerikane, Benjamin Rockwell, i cili tha se pozicionimi i Shqipërisë në listën gri është një shenjë turpi për vendin. Megjithatë zyrtari amerikan vlerësoi aksionet e fundit të SPAK, kryesisht sa i përket dosjes së inceneratorëve.

“Kemi parë goditje të mëdha nga SPAK dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, të cilat po bëhen të përjavshme, por fakti se Shqipëria mbetet në listën gri në luftën kundër pastrimit të parave, është një shenjë turpi për vendin. E cila ngre pikëpyetje besueshmërinë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shfaq një pozicion parandalues në investimet ndërkombëtare dhe rritjen ekonomike dhe sigurisht, kur ka një ndikim kaq të madh në shoqëri, është një problem i madh i shoqërisë. Po shohim përdorimin e efektshëm të këtyre akuzave nga prokuroria. Aksionet e fundit janë një nisje e mirë, por ka shumë punë për t’u bërë”, u shpreh Rockwell.

Zyrtari amerikan Rockwell tha se në Shqipëri shihet qartë prezenca e pasurive të paligjshme, kryesisht rreth qyteteve të mëdha dhe në bregdet.

“Nuk nevojitet shumë ekspertizë për të parë përreth qytetit, në bregdet apo kudo, ku shihet qartë prezenca e pasurive të paligjshme në sistemin shqiptar. Përfshirja e shoqërisë civile në luftën kundër pastrimit të parave është një tjetër hap i rëndësishëm, por edhe media si një faktor jo vetëm denoncues, por edhe parandalues”, tha ai.

SHBA i bën thirrje Kinës ta bind Rusinë ta ndalojë luftën

RFE/RL

Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen i ka bërë thirrje Kinës që të ndihmojë në përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Në një fjalim në Uashington më 13 prill, Yellen tha se shpreson se Kina do të bëjë diçka pozitive nga “marrëdhëniet speciale” të afirmuara së fundmi me Rusinë për të ndihmuar në përfundimin e luftës dhe tha pozita e Pekinit në botë do të pësojë nëse dështon të bëjë një gjë të tillë.

“Qëndrimi i botës ndaj Kinës dhe gatishmëria e saj për të përqafuar integrimin e mëtejshëm ekonomik mund të ndikohet nga reagimi i Kinës ndaj thirrjes sonë për veprim të vendosur ndaj Rusisë”, tha Yellen.

Yellen theksoi gjithashtu se administrata Biden është e vendosur në angazhimin e saj për të kërkuar llogari nga Rusia për “sjelljen e saj të tmerrshme” dhe shkeljet e saj të ligjit ndërkombëtar, duke paralajmëruar se ata që kërkojnë të minojnë sanksionet perëndimore përballen me pasoja.

“Koalicioni i unifikuar nuk do të jetë indiferent ndaj veprimeve që minojnë sanksionet që kemi vendosur”, tha ajo.

Qasja shumëpalëshe e Biden i ka mundësuar Grupit të Shtatë ekonomive të përparuara të imponojë kosto të konsiderueshme ndaj Rusisë, tha Yellen, duke e bërë të qartë se vendet e G7 vepruan në emër të një rendi global të bazuar në rregulla që mbron paqen dhe prosperitetin.

Derisa presidenti rus Vladimir Putin t’i japë fund “luftës së tij të tmerrshme”, ajo tha se administrata e Biden do të punojë me partnerët e saj për ta shtyrë Rusinë më tej drejt izolimit ekonomik, financiar dhe strategjik.

“Kremlini do të detyrohet të zgjedhë midis mbështetjes së ekonomisë së tij dhe financimit të vazhdimit të luftës brutale të Putinit”, tha Yellen.

Fjalimi i Yellen vjen derisa Uashingtoni dhe aleatët kërkojnë të bëjnë presion ndaj Indisë, Kinës dhe vendeve të tjera që të marrin një qëndrim të qartë kundër Rusisë.

Sekretarja e Thesarit i SHBA-së pranoi gjithashtu se lufta ka rritur ndjeshëm çmimet e ushqimit, energjisë dhe disa metaleve.

Evi Kokalari: Turpi bie mby ty Elmi Berisha dhe Vatrës që e keni kthyer në klub fshati! Ja keni shkaterruar dinjitetin Vatrës. TURP!!

Aktivistja e njohur Republikane Evi Kokalari ka reaguar në rrjetin social rreth një propozimi për president të Shqipërisë nga kryetari i Vatrës Elmi Berisha. Momentalisht një grup Vatranësh përfshi edhe kryetarin e Kuvendit nuk pranojnë se mandati nga dy vjet në katër vjet është i votuar,  i cili sipas delegatëve Vatranë, nuk kishte kuorum dhe rezultari ishte 12 pro 11 kundër dhe 2 abstenime. Midis tyre ka zëra dëshmitarë që thonë se manipulimi i bë aty sy në sy.
Më poshtë po e sjellim të plotë reagimin e Evi Kokalarit në Facebook:
“Kuptoni tani pse se marrim më seriozisht Vatrën???
Boll me këtë skandal!!!
Elmi Berisha, votat për nenin që ta zgjat afatin ty si kryetar nga dy vjet në katër vjet, janë vënë në dyshim. Na thuaj pak, i ke fallcifikuar? Përgjigju njerëzve.
Dhe Dritan Demiraj është njëriu më ordiner dhe vulgar që kemi në komunitet.
Kam një teks msg. të gjatë që Demiraj i ka dërguar Lul Bashës ditën që une i dola në krahë Sali Berishës. Teksti qe i mbushur me gënjeshtra dhe fyerje. Do ta publikoj nëse është e nevojshme.
Lul Basha atë tekst ia dërgoj shumë njerëzve dhe Saljani fyerjet e tija i kishte bazuar pikërisht në atë tekst msg.
Demiraj nuk është i denjë për asnjë detyrë publike, jo më për President.
Por turpi bie mbi ty personalisht dhe Vatrës që e keni kthyer ne klub fshati.
Dhe boll gënjyet për gradat e Demirajt nga DASH. Janë pallavra.
I dashur Elmi Berisha, të sygjeroj ta tërhiqni këtë budallallëk menjëherë, ndryshe do t’i bashkohem atij grupi që kanë kohë që ju luftojnë dhe deri tashti i kam shmangur për punë kohe.
Ja keni shkaterruar dinjitetin Vatrës. TURP!!
Dhe që të jemi të qartë, Demiraj ka bërë luftë me Bashen kundër Sali Berishës këto muajt e fundit.
Tashti i dërgoni Alfons Grishajn doktorit në zyrë. Me kë talleni ju? Hipokrit!!
Anëtaret e vjetër të Vatrës janë me Sali Berishën. Ju të tjerët jeni individë që s’keni asnjë lidhje me Vatrën, as nuk e kuptoni, as nuk e mbroni, thjeshtë e përdorni!”

Pentagoni u kërkon 8 prodhuesve më të mëdhenj të armëve, të takohen për të furnizimin e Ukrainës

Pentagoni do të presë liderët nga tetë prodhuesit kryesorë të armëve amerikane të mërkurën për të diskutuar kapacitetin e industrisë për të përmbushur nevojat e Ukrainës për armë nëse lufta me Rusinë zgjat me vite, thanë të martën dy persona në dijeni për takimin.

Kërkesa për armë është rritur pasi pushtimi i Rusisë nxiti transferimin e armëve të SHBA-së dhe aleatëve në Ukrainë. Rifurnizimi si dhe planifikimi për një luftë më të gjatë pritet të diskutohet në takim, thanë burimet për Reuters në kushte anonimiteti.

Zyra e Blerjes dhe Mbështetjes e Pentagonit, blerësi i armëve për Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-së, do të drejtojë takimin 90-minutësh dhe Zëvendës Sekretarja e Mbrojtjes Kathleen Hicks pritej të merrte pjesë, tha një nga personat.

Pentagoni ka thënë se armët më të dobishme janë sistemet më të vogla si raketat antitank Javelin dhe raketat anti-ajrore Stinger, të cilat Uashingtoni dhe aleatët i kanë dërguar në Ukrainë pothuajse çdo ditë.

Përdorimi intensiv, si dhe efektiviteti i fushëbetejës i shfaqur nga forcat ukrainase, ka nxitur interesin për rifurnizimin me këto armë.

Raytheon Technologies dhe Lockheed Martin Corp prodhojnë së bashku Javelins, ndërsa Raytheon prodhon Stingers.

Prodhuesit e tjerë kryesorë të armëve janë Boeing Co Northrop Grumman, General Dynamics dhe L3Harris Technologies. syri.net

Sekretari Blinken: Një zmbrapsje alarmuese e demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut

VOA/Nike Ching

Pas publikimit të raportit të përvitshëm për të drejtat e njeriut të Departamentit amerikan të Shtetit, Sekretari i Shtetit Antony Blinken foli me tone të zymta.

“Kthimi pas (për respektimin e të drejtave të njeriut) fatkeqësisht vazhdon”, tha Sekretari Blinken, duke përmendur luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Shohim se çfarë lë pas kjo valë – trupa, duar të lidhura, të braktisur nëpër rrugë; teatro, stacione treni, godina banesash të shndërruara në rrënoja me civilët brenda tyre”, tha kryediplomati amerikan, ndërsa Rusia vazhdon me mizoritë sistematike dhe në masë të gjerë në Ukrainë.

Për Rusinë, raporti i Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut për vitin 2021 nënvizoi dhunën e ushtruar ndaj kritikëve të Kremlinit dhe burgosjen e tyre. Vetëm këtë javë, një nga kundërshtarët kryesorë të Presidentit rus Vladimir Putin dhe një kritik i vendimit të Putinit për të pushtuar Ukrainën, Vladimir Kara-Murza, u arrestua dhe u ndalua në Moskë.

Të tjerë, përfshirë Alexei Navalnin, i cili u helmua dhe u burgos, renditen si shembuj të privimit arbitrar të jetës nga Rusia dhe hakmarrjeve të motivuara politikisht kundër individëve brenda dhe jashtë vendit.

“Qeveritë po burgosin më shumë kritikë. Sot, më shumë se një milion të burgosur politikë mbahen në mbi 65 vende”, tha Sekretari Blinken.

“I bëjmë thirrje Rusisë që të ndalojë abuzimin e ligjeve represive” për të vënë në objektiv qytetarët e saj, protestuesit jo të dhunshëm dhe paqësorë, si dhe individët që nuk po bëjnë asgjë më shumë se mbrojtjen e të drejtave të tyre universale, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price gjatë një konference për shtyp të martën.

Edhe përpara se të fillonte sulmi i Rusisë, Departamenti i Shtetit tha se sulmi i Moskës në vitin 2014 dhe aneksimi i Gadishullit të Krimesë të Ukrainës ka patur një efekt të rëndësishëm negativ në situatën e të drejtave të njeriut.

“Qeveria ruse vazhdoi të armatoste, stërviste, drejtonte dhe luftonte përkrah forcave separatiste të udhëhequra nga Rusia në Ukrainën lindore. Autoritetet gjithashtu kryen arrestime, ndalime dhe gjykime të motivuara politikisht të qytetarëve ukrainas në Rusi, shumë prej të cilëve pretendojnë se janë torturuar”, thuhet në raport.

Për Kinën, Departamenti i Shtetit tha se “gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit” ndaj ujgurëve kryesisht myslimanë dhe anëtarëve të grupeve të tjera të pakicave etnike dhe fetare në Xinjiang kanë vazhduar, me “arrestime masive të më shumë se një milion ujgurëve” dhe grupeve të tjera të pakicës myslimane në kampe internimi jashtëgjyqësore dhe dy milionë të tjerë që i nënshtrohen “riedukimit” gjatë ditës.

Në janar 2021, Shtetet e Bashkuara i klasifikuan zyrtarisht politikat e Kinës ndaj ujgurëve si gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Zyrtarët e qeverisë kineze dhe të shërbimeve të sigurisë shpesh bënë shkelje të të drejtave të njeriut pa u ndëshkuar, thuhet në raport.

“Problemet e rëndësishme të të drejtave të njeriut përfshinin raporte të besueshme të vrasjeve arbitrare ose të paligjshme nga qeveria; zhdukjet e detyruara nga qeveria; torturat nga qeveria; kushtet e ashpra dhe kërcënuese për jetën në burg dhe gjatë paraburgimit”, thotë Departamenti i Shtetit.

Për Iranin, raporti amerikan paraqet një pamje të rëndë, duke përmendur abuzime të rëndësishme të të drejtave të njeriut, përfshirë raporte të besueshme të ekzekutimeve për krime që nuk përmbushin standardin ligjor ndërkombëtar; vrasje arbitrare nga qeveria dhe agjentët e saj; zhdukjet me forcë që i atribuohen qeverisë dhe agjentëve të saj; tortura ose trajtim mizor, çnjerëzor ose poshtërues nga qeveria dhe agjentët e saj; si dhe arrestimi apo ndalimi arbitrar.

“Ne vazhdojmë të gjejmë mënyra si në publik ashtu edhe në mënyra shumë të matura për të mbështetur njerëzit që po përpiqen të avancojnë situatën e të drejtave të njeriut në Iran”, tha Lisa Peterson, ushtruese e detyrës së ndihmës sekretares së shtetit për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe çështjet e punës. “Ne kemi vënë gjithashtu në veprim një sërë mekanizmash të sanksioneve”, shtoi ajo.

Raporti gjithashtu vuri në dukje veprimet e qeverisë egjiptiane kundër disidentëve politikë, korrupsionin e vazhdueshëm nga udhëheqësi venezuelian Nicolas Maduro dhe ndihmësit e tij kryesorë, dhe kufizimet e vendosura në fjalimin politik nga qeveritë si Kuba, Etiopia, Sudani dhe Bjellorusia.

Për gati pesë dekada, Departamenti i Shtetit ka publikuar raportin e tij vjetor mbi praktikat e të drejtave të njeriut. Raporti i vitit 2021 mbulon 198 vende dhe territore anembanë globit.

Disa të plagosur në një stacion metroje në Nju Jork

RFE/RL

Disa persona janë qëlluar me armë zjarri dhe të paktën 13 persona janë plagosur të martën në një stacion metroje në Nju Jork, ku autoritetet gjetën eksplozivë të pashpërthyer, tha Departamenti i Zjarrfikësve.

Incidenti ndodhi në mëngjes, ku stacioni i metrosë në Bruklin është mjaft i ngarkuar, raportuan mediat. CNN dhe media të tjera kanë raportuar se të paktën pesë persona janë plagosur me armë zjarri, teksa janë thirrur në burime brenda Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut.

Ende është i paqartë numri i personave të plagosur, përfshirë edhe të atyre që janë qëlluar me armë zjarri.

Associated Press duke u thirrur në burime që kanë njohuri me hetimin e kësaj ngjarjeje, tha se informacionet paraprake sugjerojnë se një i dyshuar ishte veshur me rroba të punëtorëve ndërtimorë dhe kishte një gazmaskë.

Një fotografi nga skena shfaqi njerëz që ndihmonin pasagjerët e gjakosur të cilët ishin të shtrirë në stacionin e metrosë.

Kryetari i Nju Jorkut, Eric Adams, tha se është informuar për të shtënat në stacionin në Bruklin.

“Përderisa ne mbledhim më shumë informacione, u bëjmë thirrje njujorkezëve që të qëndrojnë larg kësaj zone për sigurinë e tyre dhe në mënyrë që zyrtarët të mund të ndihmojnë ata që kanë nevojë dhe të hetojnë rastin”, shkroi në Twitter Fabrien Levy, zëdhënësi i kreut të Nju Jorkut.

Si pasojë e kësaj ngjarjeje, trenat në këtë stacion janë vonuar gjatë mëngjesit të së martës.

 

SHBA, sanksione kundër Gruevskit, ish-zyrtarëve dhe personave të tjerë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë

VOA

Shtetet e Bashkuara shpallën vendosjen e sanksioneve ndaj disa personave në Ballkanin Perëndimor, përfshirë ish-kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, dhe ish-zyrtarë të lartë dhe figura publike në vende të tjera të Ballkanit.

“Ne i kemi ndërmarrë këto veprime në përgjigje të përfshirjes së këtyre ish-zyrtarëve në korrupsion të konsiderueshëm. Veprimet e tyre minuan sundimin e ligjit, institucionet demokratike dhe proceset publike në të dy vendet dhe gërryen besimin e publikut në qeveritë e tyre”, shprehet në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Përcaktimi për korrupsion, në bazë të nenit 7031(c) i ligjit për Financimin e Departamentit të Shtetit, Operacioneve Jashtë Vendit dhe Programeve që kanë lidhje me to, përfshin edhe ish-drejtorin e Departamentit për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut Sasho Mijalkov si dhe ish-prokuroren Gordana Tadiq nga zyra e kryeprokurorit në Bosnje Hercegovinë.

Po sot, Departamenti i Thesarit deklaroi sanksione duke përcaktuar shtatë persona dhe një entitet në Ballkanin Perëndimor, “duke vënë në shënjestër persona, që kërcënojnë stabilitetin e rajonit përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe qëndrimeve destablizuese”.

Mes tyre janë ish deputeti socialist Aqif Rakipi dhe biznesmeni Ylli Ndroqi nga Shqipëria.

“Krimi i organizuar mbetet një kërcënim i rëndësishëm në Shqipëri dhe aktorët kriminalë mbeten me ndikim në politikën shqiptare, duke përdorur para dhe dhunë për të kanalizuar mbështetjen për kandidatët e preferuar”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Thesarit.

“Aqif Rakipi është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, i cili ka një ndikim dëmtues dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. Grupe të shumta të krimit të organizuar në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune ose favore në këmbim të votave për partinë e tyre politike të preferuar”, thuhet në deklaratë.

Deklarata vazhdon duke thënë se zoti Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një Grup të Krimit të Organizuar, brenda së cilës ai ka ushtruar ndikim politik, përfshirë edhe korrupsionin.

“Ylli Ndroqi është një pronar mediash, pasuritë e të cilit janë sekuestruar nga qeveria shqiptare në vitin 2020 dhe 2021 për veprimtari të mëparshme kriminale. Ndroqi ka shfrytëzuar mediat që dikur i ka pasur nën kontrollin e tij për të ushtruar shantazh ndaj qytetarëve shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të ndalimit të publikimit të njoftimeve negative në media”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Thesarit.

Zoti Ndroqi përcaktohet në bazë të Urdhrit Ekzekutiv 14033 për përgjegjësi ose bashkëpunim, ose përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion në lidhje me Ballkanin Perëndimor.

Presidenti Trump mbështet Mitt Romney në garën për Senat

Fotot nga wikipedia

 

Presidenti Trump mbështet Mitt Romney në garën për Senat për të zëvendësuar Senatorin në pension Orrin Hatch (R-Utah).

“Ai do të jetë një senator i madh dhe pasardhës i denjë i @OrrinHatch dhe ka mbështetjen dhe mbështetjen time të plotë!”

Trump shkroi të hënën në Twitter.

Rusia është një fuqi fake Nga Janusz Bugajski

Winston Churchill e quajti Rusinë një “gjë e gjëzë, e mbështjellë në një mister, brenda një enigme”. Një përshkrim më i saktë i Federatës Ruse aktuale është një falsifikim i mbështjellë me një mashtrim brenda një gënjeshtre.

Analistë të shumtë janë fokusuar në fushatën e dezinformimit të Moskës për të minuar Perëndimin, por ata mezi e kanë vënë re se subjekti më i rëndësishëm i dezinformimit është vetë Rusia. Moska ka një histori të gjatë mashtrimi për perëndimorët dhe duke e përshkruar perandorinë e saj si të pathyeshme. Në një mishërim të mëparshëm perandorak, komunizmi sovjetik dhe internacionalizmi socialist supozohej të siguronin shpëtimin për të gjithë njerëzimin. Derisa, pra, u ekspozuan si mashtrim. Rusia e sotme ka krijuar një imazh të statusit të fuqisë së madhe, fuqisë ekonomike dhe fuqisë ushtarake që po zbërthehet me shpejtësi në Ukrainë. Kjo tregon se vetë struktura shtetërore ruse qëndron mbi themele të kalbura.

Sulmi raketor rus vret dhjetëra në stacionin e trenit në Ukrainën lindore

Sipas raporteve të shumta perëndimore, dezinformimi shtetëror i Rusisë supozohej të ishte i sofistikuar dhe bindës. Në realitet, ai nuk ka arritur të bindë askënd jashtë një grupi të ngushtë besimtarësh të vërtetë se Moska po zhvillon një luftë të drejtë të “denazifikimit” në Ukrainë. Përpjekjet për të kontrolluar narrativën kanë dështuar keq për shkak të ekspozimit të hershëm të qëllimeve të luftës së Kremlinit nga shërbimet e inteligjencës perëndimore dhe nga një fushatë efektive informacioni nga qeveria ukrainase dhe shoqëria civile. Në mënyrë të ngjashme, aftësitë shumë të lavdëruara të luftës kibernetike të Rusisë janë ekzagjeruar jashtëzakonisht, pasi Kievi ishte dukshëm i përgatitur mirë për çdo ndërprerje dixhitale të infrastrukturës kritike të Ukrainës.

Shkathtësia ushtarake e Rusisë ka rezultuar të jetë një tjetër mit që mashtronte analistët perëndimorë. Thjesht studimi i raporteve ruse mbi sistemet e armëve, strategjitë e betejës dhe teoritë ushtarake është i pamjaftueshëm për të kuptuar aftësitë aktuale. Pak vëmendje i është kushtuar moralit, etikës, paaftësisë, trajnimit të dobët, niveleve të dobëta arsimore, korrupsionit, raportimeve të falsifikuara, faktorëve ndëretnikë dhe marrëdhënieve oficer-ushtar brenda ushtrisë ruse. Kjo ka rezultuar në një dështim të rëndë për të parashikuar disfatat që Rusia ka pësuar në Ukrainë. Edhe pse Moska ka bërë shkatërrime të mëdha në Ukrainë, ajo nuk do të ketë burimet apo fuqinë njerëzore për të mbështetur një luftë apo pushtim të zgjatur.

Forca ekonomike e Rusisë është gjithashtu një gjethe fiku. Thjesht citimi i shifrave për fondet e saj kombëtare të pasurisë dhe rezervat e huaja nuk ka arritur të nënvizojë se ekonomia ruse bazohet kryesisht në të ardhurat nga lëndët djegëse fosile. Pa eksporte në shkallë të gjerë të energjisë, buxheti thjesht nuk mund të përballojë shpenzimet e nevojshme për të mbajtur federatën të paprekur. Dhe me fillimin e hyrjes në fuqi të sanksioneve, shumë nga rajonet federale të Rusisë do të kërkojnë të ardhura alternative për të mbijetuar, qoftë duke kufizuar shfrytëzimin e Moskës të burimeve të tyre natyrore ose duke iu drejtuar shteteve fqinje për lidhje të drejtpërdrejta ekonomike. Ndërsa buxheti i Moskës shterohet dhe të ardhurat e saj nga energjia bien, çdo nxitje për të qëndruar në federatën e dështuar do të zvogëlohet me shpejtësi dhe brishtësia shtetërore e Rusisë do të bëhet gjithnjë e më transparente.

Qeveritë perëndimore nuk po arrijnë të kuptojnë rëndësinë e këtij momenti historik. Masat shtesë për të ndihmuar Ukrainën dhe për të sanksionuar Rusinë nuk do ta lejojnë agresorin të bëjë rregullime ushtarake dhe ekonomike për të qëndruar në këmbë. Koha për deimperializimin e Federatës Ruse është këtu, jo përmes ndërhyrjes ushtarake perëndimore, por duke forcuar masivisht forcat e armatosura të Ukrainës, duke ndërprerë të gjitha lidhjet tregtare dhe energjetike me Rusinë dhe duke ndihmuar këtë shtet artificial të përfshihet në konflikte të brendshme.

Një disfatë ushtarake në Ukrainë që zbulon dobësinë e natyrshme të Kremlinit, e kombinuar me sanksione ekonomike gjymtuese që rrëzojnë standardet e jetesës, do të provokojnë trazira publike, revolta rajonale dhe luftëra për pushtet brenda dhe ndërmjet elitave të ndryshme. Intensifikimi i betejave të brendshme në një ekonomi në kolaps do të kulmojë në thyerjen e shtetit dhe shfaqjen e entiteteve të reja që do të refuzojnë projektin perandorak delirant të Moskës. NATO nuk duhet të ndërhyjë ushtarakisht nëse territori i saj nuk shkelet, por ajo mund të inkurajojë dhe zhvillojë lidhje me shtetet e reja që dalin nga një perandori ruse e shkatërruar. /https://www.washingtonexaminer.com/opinion/russia-is-a-fake-power

Shtëpia e Bardhë mbështet hetimin e sulmit në stacionin e trenit në Ukrainë

VOA

Shtëpia e Bardhë tha të premten se administrata e presidentit Joe Biden do të mbështesë hetimet për sulmin në një stacion treni në Ukrainë, për të cilin autoritetet thanë se ishte i mbushur me gra, fëmijë dhe refugjatë të moshuar.

Shtëpia e Bardhë i quajti më herët pamjet nga stacioni i trenit “të tmerrshme dhe të trishtueshme”.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën kundër agresionit rus, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kate Bedingfield në një intervistë për CNN-in.

Të paktën 50 persona u vranë dhe dhjetëra u plagosën nga një goditje me raketë në një stacion treni në Ukrainën lindore, i mbushur me gra, fëmijë dhe të moshuar që përpiqeshin t’i largoheshin luftës, thanë autoritetet ukrainase. Mes viktimave, 5 ishin fëmijë.

Zyrtarët thanë se shumë nga të plagosurit kishin humbur gjymtyrë dhe po operoheshin pas sulmit në qytetin e Kramatorskit.

Mijëra njerëz ishin në stacionin e trenit kur goditi raketa.

Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia përdori një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi për sulmin, tha një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes. Duke folur në kushte anonimiteti, ai tha se Pentagoni beson se forcat ruse përdorën një raketë SS-21 Scarab, por se motivi i sulmit nuk ishte i qartë.

SS-21 është emri i përdorur nga aleanca ushtarake e NATO-s për një lloj rakete të njohur si Tochka në shtetet ish-sovjetike.

Shtetet e Bashkuara janë ende duke e analizuar sulmin dhe nuk është e qartë nëse ishin përdorur municione thërrmuese, tha zyrtari amerikan.

“Nuk e besojmë mohimin e përgjegjësisë nga rusët”, tha zyrtari. Ministria ruse e mbrojtjes u citua nga agjencia e lajmeve RIA të ketë thënë se raketat që thuhet se kanë goditur stacionin përdoren vetëm nga ushtria e Ukrainës dhe se Kramatosrski nuk ishte objektiv i forcave të armatosura ruse.

Presidenti ukrainas Volodymr Zelenskiy tha se sulmi ndaj civilëve ishte i qëllimshëm dhe fajësoi Rusinë për humbjen e jetëve.

“Rusët çnjerëzorë nuk po i ndryshojnë metodat e tyre. Pa pasur forcën apo guximin për t’u përballur me ne në fushën e betejës, ata po shkatërrojnë në mënyrë cinike popullsinë civile”, tha presidenti në rrjetet sociale.

“Kjo është një e keqe pa kufi. Dhe nëse nuk dënohet, atëherë nuk do të ndalet kurrë.”

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe ministri britanik i mbrojtjes Ben Wallace dënuan sulmin.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës tha se rreth 4,000 civilë ndodheshin brenda dhe përreth stacionit, shumica prej tyre gra dhe fëmijë që po u përgjigjeshin thirrjeve për t’u larguar nga zona përpara se të mbërrinin forcat ruse.

“Njerëzit thjesht po largoheshin për evakuim,” tha prokurorja e përgjithshme Iryna Venediktova gjatë një vizite në Buça, ku gazetarët dhe banorët e kthyer pas largimit të forcave ruse gjetën trupa të vdekurish në rrugë dhe në varreza masive.

Zonja Venediktova foli ndërsa punëtorët nxirrnin kufomat nga një varr masiv pranë një kishe.

Asnjë nga të vdekurit nuk ishte rus, tha ajo. Prokuroria e përgjithshme po i heton vdekjet si krime të mundshme lufte.

Senati konfirmon emërimin e gjykatëses Jackson në Gjykatën e Lartë

VOA/Marrë nga Associated Press

UASHINGTON – Senati konfirmoi të enjten, me një votim 53 me 47, të emëruarën nga Presidenti Biden për anëtare në Gjykatën e Lartë, gjykatësen Ketanji Brown Jackson. Ajo do të jetë gruaja e parë afrikano-amerikane që do të bëhet anëtare e gjykatës më të lartë amerikane dhe Presidenti Joe Biden mori kështu mbështetje dypartiake për këtë përzgjedhje të tij historike.

Tre senatorë republikanë kishin thënë paraprakisht se do të mbështesnin kandidaturën e gjykatëses Jackson, e cila do të zëvendësojë gjykatësin Stephen Bryer që del në pension këtë verë. Megjithëse ky votim është larg mbështetjes dypartiake që pati marrë gjatë procesit të konfirmimit gjykatësi Bryer apo kandidatura të tjera në të kaluarën, përfaqëson sidoqoftë një arritje domethënëse për Presidentit Biden, në një Senat të ndarë përgjysëm, pasi senatorët republikanë u përpoqën në mënyrë intensive ta paraqisnin zonjën Jackson si liberale dhe jo të ashpër sa duhet ndaj krimit.

“Do të jetë një ditë e gëzueshme”, ishte shprehur kreu i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, të mërkurën në mbrëmje, gjatë njoftimit për seancën e votimit. “E gëzueshme për Senatin, e gëzueshme për Gjykatën e Lartë, e gëzueshme për Amerikën”.

Zonja Jackson, një gjykatëse federale e apelit në moshën 51-vjeçare, do të jetë anëtarja e tretë afrikano-amerikane e Gjykatës së Lartë, pas gjykatësve Thurgood Marshall dhe Clarence Thomas, si dhe gruaja e gjashtë. Ajo do t’u bashkohet dy grave, gjykatëseve Sonia Sotomayor dhe Elena Kegan, anëtare të kahut liberal në gjykatën me shumicë konservatore 6 me 3. Së bashku me gjykatësen Amy Coney Barrett, e cila i përket kahut konservator, për herë të parë në historinë amerikane katër nga nëntë anëtarët e Gjykatës së Lartë do të jenë gra.

Pas seancave të ashpra dëgjimore në Komisionin e Senatit për Drejtësinë ku republikanët i drejtuan pyetje të forta gjykatëses Jackson rreth historikut të vendimeve të saj gjyqësore, tre senatorë republikanë deklaruan publikisht se do të mbështesin kandidaturën e saj. Deklaratat e senatores Susan Collins, senatores Lisa Murkowski dhe senatorit Mitt Romney ishin në të njëjtën linjë – ata mund të mos jenë gjithnjë dakort me zonjën Jackson, por mendojnë se ajo është shumë e kualifikuar për këtë detyrë.

Senatoret Collins dhe Murkowski kritikuan procesin gjithnjë e më partiak të konfirmimit, proces të cilin senatorja Collins e quajti “të dëmtuar” dhe senatorja Murkowski e quajti “të ndryshkur” dhe “çdo vit gjithnjë e më të shkëputur nga realiteti”.

Presidenti Biden, një veteran i një Senati më dypartiak, u shpreh që në fillim se dëshironte mbështetjen e të dyja palëve për këtë emërim historik, dhe i ftoi republikanët në Shtëpinë e Bardhë ndërsa vendoste se kë do të propozonte. Kjo ishte një përpjekje për të ringritur marrëdhënien pas tre betejave të ashpra për Gjykatën e Lartë gjatë mandatit të ish-Presidentit Donald Trump, kur demokratët i kundërshtuan me forcë emërimet, si dhe nga fundi i mandatit të ish-Presidentit Barack Obama, kur republikanët bllokuan votimin për emërimin në Gjykatën e Lartë të zotit Merrick Garland.

Duke folur muajin e kaluar përpara Komisionit të Senatit për Drejtësinë, zonja Jackson tha se jeta e saj kishte marrë trajtë, e ndikuar nga eksperiencat e prindërve të saj me segregimin racial dhe ligjet për të drejtat civile që u vendosën një dekadë përpara se ajo të kishte lindur.

Ndërsa prindërit dhe familja qëndronin të ulur pas saj, ajo i tha komisionit se “rrugëtimi ishte më i qartë” për të si një afrikano-amerikane, krahasuar me prindërit e saj. Zonja Jackson kreu studimet në Universitetin e Harvardit, shërbeu si avokate për personat që nuk munden të paguajnë për shërbimet juridike, punoi në një firmë private avokature dhe shërbeu si anëtare e Komisionit të Shteteve të Bashkuara për Dënimet, krahas detyrës së saj nëntë vjeçare si gjykatëse federale.

“Kam qenë gjykatëse për gati një dekadë tashmë, dhe e marr shumë seriozisht këtë përgjegjësi dhe detyrimin për të qenë e pavarur”, tha zonja Jackson. “I marr vendimet gjyqësore nga një pozicion neutral. Vlerësoj faktet, i interpretoj dhe aplikoj ligjet për faktet e çështjes së paraqitur, pa frikë dhe pa favorizim, në përputhje me betimin që kam bërë kur u bëra gjykatëse”.

Kur të bëjë betimin për anëtare e Gjykatës së Lartë, zonja Jackson do të bëhet anëtarja e dytë më e re e gjykatës, pas zonjës Barrett, e cila është në moshën 50-vjeçare. Ajo do të bëhet pjesë e një gjykate ku asnjë anëtar nuk është ende 75 vjeç – hera e parë që kjo ndodh në pothuajse 30 vjet.

Që në fillimet e detyrës së re, zonja Jackson do të përballet me çështje që përfshijnë racën, qoftë për pranimin në universitete apo për të drejtën e votës.

Gjatë seancave dëgjimore, republikanët i drejtuan asaj pyetje për historikun e vendimeve të marra si gjykatëse federale, përfshirë dënimet që ajo pati dhënë për raste të pornografisë me fëmijë, dënime për të cilat thanë se ishin shumë të lehta. Zonja Jackon e kundërshtoi këtë portretizim të republikanëve, duke deklaruar se “asgjë nuk mund të jetë më larg të vërtetës” dhe shpjegoi me detaje arsyetimin e saj. Demokratët thanë se vendimet e saj ishin në përputhje me ato të gjykatësve të tjerë.

Këto pyetje në Komisionin e Senatit për Gjyqësorin zunë vend megjithatë tek disa republikanë, përfshirë kreun e republikanëve në Senat Mitch McConnell, i cili tha në një fjalim të mërkurën se zonja Jackson “nuk u tregua kurrë e ashpër në këtë fushë”.

Drejtuesi i pakicës republikane në Senat Mitch McConnell duke biseduar me gazetarët në Kapitol (5 prill 2022)

Drejtuesi i pakicës republikane në Senat Mitch McConnell duke biseduar me gazetarët në Kapitol (5 prill 2022)

Demokratët kritikuan pyetjet e drejtuara nga republikanët.

“Mund të përpiqeni të krijoni një person fiktiv këtu, por nuk do të zërë vend”, tha Senatori Cory Booker gjatë votimit në komision këtë javë. Duke votuar 11-11, komisioni nuk arriti ta kalojë kandidaturën, por Senati votoi për ta vazhduar procesin e konfirmit përtej komisionit.

Votimi 11 me 11 në Komisionin e Senatit për Gjyqësorin

Votimi 11 me 11 në Komisionin e Senatit për Gjyqësorin

Në një moment pasionant gjatë seancave dëgjimore, Senatori Booker, i cili është gjithashtu afrikano-amerikan, i tha zonjës Jackson se ndjehej i prekur kur e shikonte të dëshmonte. Ai tha se shikonte paaardhësit e tij dhe të saj në imazhin e zonjës Jackson.

“Por, mos u shqetëso motra ime”, tha Senatori Booker. “Mos u shqetëso, Zoti të mbron. Dhe nga e di unë këtë? Sepse ti ndodhesh këtu dhe e di se çfarë të është dashur të kalosh për t’u ulur në atë karrige”.

Daria Kaleniuk lajmëron: Më në 9 prill përpara Shtëpisë të Bardhë manifestim në mbrojtje të Ukrainës

Gazetarja dhe aktivistja e njohur Ukrainase Daria Kaleniuk lajmëron me një tweet se më 9 prill në Washongton DC në orën 3:00 pm përpara Shtëpisë së Bardhë do të manifestohet në mbrojtje të Ukrainës për të marrë mbështetje kundër genocidid rus.

Është koha për të kërkuar mbështetjen e duhur për Ukrainën në luftën e saj kundër gjenocidit rus.“, shkruan Daria Kaleniuk.

SHBA vendos sanksione ndaj vajzave të Vladimir Putinit

VOA

Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën sanksione që synojnë dy vajzat e mëdha të Presidentit rus Vladimir Putin dhe njoftuan se po ashpërsojnë masat kundër bankave ruse lidhur me ato që Uashingtoni i cilëson si krime lufte në Ukrainë.

Masat e ndërmarra ndaj Sberbank dhe Alfa Bank, nënkuptojnë një bllokim të parave që kalojnë nëpërmjet sistemin financiar të SHBA-ve dhe ndalojnë amerikanët të bëjnë biznes me këto institucione.

Përveç sanksioneve që synojnë dy vajzat e mëdha të zotit Putin, Mariya Putina dhe Katerina Tikhonova, SHBA-të kanë vendosur në shënjestër edhe kryeministrin Mikhail Mishustin, bashkëshorten dhe fëmijët e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov, si dhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, mes tyre Dmitry Medvedev, i cili ka mbajtur më parë detyrën e ish-president dhe kryeministrit të vendit.

Sanksionet synojnë të bllokojnë qasjes e të gjithë anëtarëve të rrethit të ngushtë familjar të zotit Putin në sistemin financiar amerikan dhe ngrijnë çdo pasuri që ata kanë në Shtetet e Bashkuara.

Një zyrtar i lartë amerikan tha për gazetarët se nëse Presidenti Putin ndryshon qëndrim për Ukrainën, sanksionet mund të ngadalësohen, ndoshta edhe të hiqen.

Sanksionet pasojnë akuzat e shumta se forcat ruse kanë kryer krime lufte në Ukrainë. Presidentit Zelensky, akuzoi botën këto ditë se po dështon për t’i dhënë fund agresionit rus ndaj vendit të tij dhe për atë që ai e cilësoi si fushatë vrasjesh, përdhunimesh dhe shkatërimesh nga forcat ruse.

 

Sot Presidenti Zelensky akuzoi Rusinë se po përdor urinë si armë lufte duke goditur qëllimisht infrastrukturën ushqimore.

Duke folur para parlamentit të Irlandës, Presidenti Zelensky tha se forcat ruse “po shkatërrojnë sistemin ushqimor”, duke goditur magazinat, e bllokuar portet, që Ukraina të mos eksportojë artikuj ushqimorë dhe duke minuar fushat bujqësore”.

Për ta uria është po ashtu një armë, një armë kundër njerëzve të zakonshëm”, tha ai, duke e akuzuar Rusinë se “po shkakton qëllimisht një krizë ushqimore” në Ukrainë, një nga vendet kryesore në botë prodhuese të grurit dhe vajit të lulediellit. Kjo do të ketë pasoja për mbarë botën, tha ai, “pasi do të ketë mungesa të artikujve ushqimorë në treg dhe çmimet do të ngrihen.

Fjalimi i tij sot para parlamentit irlandez, ishte i fundit i një serie fjalimesh ndërkombëtare për të siguruar mbështetje për Ukrainën.

SHBA me 100 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

VOA

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan 100 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, ndërsa ministrat e jashtëm të NATO-s mblidhen në Bruksel për dy ditë bisedime rreth konfliktit në Ukrainë.

“Bota është e tronditur dhe e tmerruar nga mizoritë e kryera nga forcat ruse në Bucha dhe në të gjithë Ukrainën”, tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, në një deklaratë të martën vonë, duke njoftuar autorizimin e tij për ndihmën ushtarake.

“Forcat e Ukrainës vazhdojnë me guxim të mbrojnë vendin dhe lirinë e tyre, dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët dhe partnerët, qëndrojnë të palëkundura në mbështetje të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Ukrainës”, tha ai.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha se ndihma do të “plotësonte një nevojë urgjente ukrainase për sisteme shtesë ‘Javelin’, të cilat Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës dhe ato janë përdorur në mënyrë efektive”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u tha gazetarëve para takimit se vendet anëtare të aleancës “janë të vendosur të ofrojnë mbështetje të mëtejshme për Ukrainën”, duke përfshirë ndihmën humanitare dhe financiare, përveç pajisjeve ushtarake dhe ndihmës për sigurinë kibernetike.

“Unë pres që gjithashtu të vendosim të bëjmë më shumë për partnerët e tjerë të NATO-s, të cilët janë të cenueshëm ndaj kërcënimeve dhe ndërhyrjeve ruse, duke përfshirë Gjeorgjinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën”, tha sekretari Stoltenberg.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, është planifikuar të mbajë fjalim në takimin e NATO-s të enjten.

Presidenti i Ukrainës kritikoi të martën Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për mosveprimin e tij në ndalimin e luftës së Rusisë kundër vendit të tij dhe bëri thirrje që Moska të përballet me përgjegjësi për krimet që ka kryer atje.

Presidenti Volodymir Zelenskyy foli në Këshillin e Sigurimit vetëm disa ditë pasi trupat ruse u tërhoqën nga Bucha, në periferi të Kievit, ku banorët dhe zyrtarët lokalë raportuan se më shumë se 300 civilë ishin vrarë nga trupat ruse gjatë okupimit të qytetit. Moska ka mohuar çdo përfshirje dhe ka fajësuar “radikalët” ukrainas.

Në Uashington, Shtëpia e Bardhë tha se po bashkërendon sanksione të reja gjithëpërfshirëse me G-7 dhe Bashkimin Evropian, që do të vendosen ndaj Rusisë në përgjigje të mizorive të kryera në Bucha dhe gjetkë në Ukrainë. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, u tha gazetarëve se sanksionet do ta çonin Moskën “më tej në rrugën e izolimit ekonomik, financiar dhe teknologjik”.

“Kjo do të përfshijë një ndalim për të gjitha investimet e reja në Rusi, sanksione të shtuara ndaj institucioneve financiare dhe ndërmarrjeve shtetërore në Rusi dhe sanksione ndaj zyrtarëve të qeverisë ruse dhe anëtarëve të familjeve të tyre”, tha zonja Psaki duke nënvizuar se sanksionet e reja do të shpallen të mërkurën.

Gjenerali i lartë amerikan bën thirrje për më shumë baza amerikane në Evropën Lindore

VOA/Marrë nga Associated Press

Gjenerali më i lartë amerikan thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë mundësinë e më shumë bazave në Evropën Lindore për t’u mbrojtur ndaj agresionit rus. Por kreu i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrirë, Mark Milley tha në Kongresin amerikan se trupat duhet të shërbejnë me rotacion dhe jo të ketë dislokime të përhershme. Gjenerali Milley tha se bazat mund të financohen nga vende të tjera si Polonia dhe vendet baltike që duan më shumë trupa amerikane.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se çdo përpjekje për më shumë masa sigurie në Evropën Lindore është një “proces në vazhdim” që ndoshta do të diskutohet në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në qershor.

Gjenerali Milley dhe Sekretari i Mbrojtjes Austin po dëshmonin para Komisionit për Shërbimet e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me projekt-buxhetin për vitin 2023, por seanca u mbizotërua nga lufta ruse kundër Ukrainës dhe përpjekjet e mundshme të Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Ukrainën dhe për të forcuar sigurinë në të gjithë Evropën.

Zoti Milley u pyet për nevojën e dislokimit të forcave në krahun lindor të Evropës, që aleatët e NATO-s shqetësohen se mund të jetë objektivi i ardhshëm i Rusisë.

“Këshilla ime do të ishte krijimi i bazave të përhershme, por jo stacionimi i përhershëm (i forcave), duke i qarkulluar forcat në bazat e përhershme dhe jo duke i dislokuar ato në mënyrë të përhershme”, tha ai.

“Unë besoj se shumë nga aleatët tanë evropianë, veçanërisht ata si vendet baltike, Polonia dhe Rumania dhe të tjerë janë shumë, shumë të gatshëm të krijojnë baza të përhershme. Ata do t’i ndërtojnë, ata do të paguajnë për to”, tha ai.

Zoti Austin shtoi se së fundmi ai u takua dhe bisedoi me udhëheqësit e vendeve baltike, duke vënë në dukje se ata e bënë të qartë se vlerësojnë trupat amerikane atje.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me NATO-n për të vlerësuar se cilat do të jenë nevojat. Ne do të jemi pjesë e kësaj zgjidhjeje”, tha ai.

Pentagoni po vazhdon të rishikojë numrin e trupave në të gjithë Evropën dhe të shqyrtojë nëse do të shtojë më shumë apo do të zhvendosë disa prej atyre që janë tashmë atje.

Gjenerali Milley tha të martën se megjithëse nuk janë marrë ende vendime, ekziston një mundësi për shtimin e trupave amerikane në Evropë dhe kjo nevojë mund të plotësohet nga forcat që shërbejnë me rotacion.

Këto forca dislokohen për periudha më të shkurtra kohore. Forcat e përhershme shpesh vendosen për dy deri në tre vjet.

Gjenerali Milley pranoi gjithashtu se agresioni i Moskës në Ukrainë dhe kërkesat e saj të vazhdueshme që SHBA dhe NATO të pakësojnë trupat dhe armët në vendet evropiane përgjatë kufijve të Rusisë, sinjalizojnë një konflikt të gjatë në rajon që mund të shtrihet përtej Ukrainës.

“Unë mendoj se ky është një konflikt që do të zgjasë. Nuk e di nëse do të zgjasë për dekada, por me vite me siguri,” tha Gjenerali Milley.

“Mendoj se NATO, Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe të gjithë aleatët dhe partnerët që po mbështesin Ukrainën do të jenë të përfshirë për një kohë të konsiderueshme”, tha ai.

Sekretari Austin shtoi se kërkesat e gjera ruse nuk ishin të pranueshme për NATO-n dhe SHBA po shikon mënyra për të ofruar ndihmë dhe trajnim shtesë për vendet, përfshirë aleatët jo anëtarë të NATO-s si Gjeorgjia dhe Finlanda.

Të dy ata thanë se e vetmja mënyrë e mundshme për të frenuar rusët mund të kishte qenë vendosja e trupave amerikane në terren brenda Ukrainës, por ky opsion u hodh poshtë sepse paraqiste rrezikun për një luftë më të gjerë të SHBA-së me Rusinë.

Gjenerali Milley tha se ai nuk ishte i sigurt nëse presidenti rus Vladimir Putin mund të frenohej pasi agresioni ndaj Ukrainës kishte qenë një qëllim afatgjatë për Moskën.

Ekspozitë me karficat simbolike të ish-Sekretares së Shtetit Albright

Marrë nga Associated Press

Madeleine Albright i kishte bërë karficat që vinte në veshjet e saj një mjet të veçantë simbolik për të përçuar mesazhet dhe bindjet e saj. Tani koleksioni i bizhuterive të dhuruara nga e Madeleine Albright e cila vdiq muajin e kaluar, do të ndihmojnë për të rrëfyer trashëgiminë e saj diplomatike në një ekspozitë të re që po përgatitet në Muzeun Kombëtar të Diplomacisë Amerikane.

Kuratorja e muzeut Nancy Zinn, thotë se zonja Albright u bë e njohur për përdorimin e karficave të xhaketës gjatë kohës që shërbente si ambasadore amerikane në Kombet e Bashkuara.

“Shumë njerëz e dinë se sa e famshme ishte ajo për koleksionin e saj të karficave dhe përdorimin e tyre për të shprehur gjendjen e saj, për të treguar historinë, për të ndarë përvojat. Dhe gjatë gjithë kohës deri ditën që vdiq, ajo mbante karfica për t’u shprehur këto çështje dhe idetë e saj”.

Ekspozita me rreth 200 karfica është planifikuar sipas temave dhe përfshin imazhe patriotike si flamujt dhe shqiponjat amerikane si dhe shumë simbole të tjera.

Kuratorja thotë se materialet variojnë nga një karficë në formë zemre prej balte e bërë nga vajza e diplomates Albright për Ditën e Shën Valentinit deri te “bizhuteritë ekstravagante, antike dhe të çmuara”.

“Ajo kishte balona. Kishte flutura. Kishte shumë karfica me rreze dielli e të tjera. Për situata të vështira ajo shpesh përdorte karfica simbolike në formë engjëlli ose pëllumbi të paqes”, thotë zonja Zinn.

Pasi 84-vjeçarja vdiq nga kanceri më 23 mars, zonja Zinn thotë se u shtua numri i vizitorëve në internet në faqen elektronike “Read My Pins”.

“Ajo kishte një karrierë shumë të gjatë, të pasur dhe të plotë diplomatike, dhe ne i detyrohemi asaj shumë për këtë. Kështu që shpresoj që bizhuteritë mund të shihen si një lloj pikë fillestare për të mësuar më shumë rreth saj. Për të mësuar më shumë rreth punës që ajo bëri”.

Si sekretare e shtetit, Albright ishte gruaja në pozitën më të lartë në historinë e qeverisë amerikane. Ajo luajti një rol kyç për ta bindur presidentin e atëhershëm Clinton që të shkonte në luftë kundër udhëheqësit jugosllav Slobodan Millosheviç për trajtimin që bënte ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Si ambasadore e OKB-së, ajo mbrojti një politikë të jashtme të fortë amerikane, veçanërisht në rastin e trajtimit të Bosnjës nga Millosheviqi dhe ndërhyrja e NATO-s në Kosovë u quajt përfundimisht “Lufta e Madeleine”.

Kuratoja Zinn thotë se ekspozita e zonjës Albright do të hapet në Muzeun Kombëtar të Diplomacisë Amerikane në vitin 2026 dhe do të paraqesë sende të tjera personale duke përfshirë një komplet çaji që i është dhënë nga Ministri i Jashtëm rus Igor Ivanov.

Për herë të parë falet namazi i taravive në sheshin kryesor të New Yorkut

Në kryeqendrën e qytetit të New Yorkut, në “Time Square”, është falur dje namazi i taravive nga mijëra besimtarë myslimanë.

Besimtarët myslimanë janë mbledhur mbrëmë në qendrën amerikane për kryer lutjet, që gjatë muajit të shenjtë për myslimanët kryhen në mbrëmje.

Në rrjete sociale janë publikuar fotografi e video, ku shihet se numri i pjesëmarrësve aty ka qenë i madh.

Organizatorët i kanë thënë “CBS News” se qëllimi i kësaj ngjarjeje ka qenë që jomyslimanët të kuptojnë më shumë rreth fesë islame, përcjell Gazeta Express.

Dikush ka shkruar në Twitter “a e shihni se myslimanët mund të mblidhen në ditën e parë ta Ramazanit për lutje, sic mblidhen për vitin e ri në Time Square”, duke shtuar se pse paragjykohet ky komunitet.

Megjithatë, para faljes së namazit aty, raporton media lindore, ka pasur shqetësime të shprehura nga besimtarët rreth idesë së faljes në “Time Square”, për shkak të billobordeve të shumtë në këtë shesh.

Image

Pentagoni me pako të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën

RFE/RL

Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi se do të ndajë 300 milionë dollarë për “mbështetje të sigurisë” për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Ukrainës.

Me këtë shumë të ndarë, ndihma që Uashingtoni i ka ofruar Ukrainës, që prej se Rusia nisi pushtimi në shkurt, ka arritur në 1.6 miliard dollarë.

Në pakon e re të ndihmës përfshihen sisteme raketash që operohen me laser, pajisje për shikim natën, sisteme të komunikimit të sigurt taktik, furnizime mjekësore dhe automjete të blinduara.

“Ky vendim thekson angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës në mbështetje të përpjekjeve të saja heroike për t’iu kundërpërgjigjur luftës që zgjodhi Rusia”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i Pengtagonit, John Kirby.

Më 30 mars, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky, biseduan për ndihmën shtesë për ushtrinë ukrainase.

Në mesin e muajit mars, Kongresi amerikan kishte miratuar një projektligj ku përfshiheshin 13.6 miliardë dollarë ndihmë humanitare dhe ushtarake për Ukrainën dhe për aleatët e NATO-s në Evropën Lindore.

Pas vendimit të Kongresit, presidenti Biden njoftoi për një pako të re të sigurisë për Ukrainën në vlerë prej 1 miliard dollarësh.

Një pjesë e madhe e pajisjeve ushtarake që SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës, është marrë nga furnizimet e ushtrisë amerikane.

Ndërkaq, ndihma e njoftuar nga Pentagoni, në vlerë prej 300 milionë dollarësh, do të realizohet përmes kontratave për pajisje ushtarake me partnerët në industrinë e mbrojtjes.

Në pakon e re të ndihmës janë përfshirë edhe dronë të llojit Switchblade.

Këta dronë, që njihen edhe si “dronë kamikazë”, mund të drejtohen nga një operator për të gjetur objektivin dhe kur ta gjejnë atë, nisen drejt objektivit dhe shpërthejnë sapo të kenë kontakt me të.

Kirby shtoi se SHBA-ja “do të vazhdojë punën me aleatët dhe partnerët tanë për të identifikuar dhe ofruar për ukrainasit aftësi shtesë”.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Që atëherë, përveç SHBA-së, edhe shtete tjera të NATO-s dhe Bashkimit Evropian i kanë ofruar ndihmë ushtarake Ukrainës që të përballet me agresionin rus.

Janusz Bugajski: T’i jepet fund dialogut farsë Kosovë-Serbi dhe katër anëtare të NATO-s të njohin pavarësinë e Kosovës

Eksperti i njohur amerikan Janusz Bugajski në lidhje me situatën aktuale, duke komentuar qendrimin përkrahës të Serbisë ndaj Moskës, shtetit agresor që ka sulmuar sovranitetin shtetëror të Ukrainës me ushtri, zjarr, bombardime, vrasje të civilëve duke detyruar mbi 3 milionë ukrainas më së shumti fëmijë, gra e të moshuar që të largohen nga vendi i tyrë, ka reaguar në Twitter me një tweet si më poshtë:

“Ndërsa Beogradi e përqafon plotësisht Kremlinin, është koha për të hequr dorë nga bisedimet farsë mes Kosovës dhe Serbisë.

Katër anëtarë të NATO-s (Greqia, Sllovakia, Rumania, Spanja) duhet të njohin Kosovën dhe të demonstrojnë se mbështesin NATO-n dhe jo Rusinë në Ballkan.”

 

Shtëpia e Bardhë: Putin ndihet i mashtruar nga këshilltarët e tij ushtarakë

RFE/RL

Shtëpia e Bardhë ka thënë se ka inteligjencë që presidenti rus, Vladimir Putin ndihet se është mashtruar nga këshilltarët e tij ushtarakë, çka ka rezultuar me tension të vazhdueshëm në mes tij dhe krerëve ushtarakë.

“Ne besojmë se Putin është duke u keqinformuar nga këshilltarët e tij rreth asaj se sa dobët është duke vepruar ushtria ruse dhe si është duke u dëmtuar ekonomia ruse nga sanksionet, sepse këshilltarët e lartë ushtarakë janë shumë të frikësuar për të treguar të vërtetën”, ka thënë drejtorja për komunikime e Shtëpisë së Bardhë, Kate Bedingfield në një prononcim para gazetarëve.

Ajo ka thënë se “është e qartë” që pushtimi rus në Ukrainë ka qenë “gabim strategjik” që do ta lërë atë të dobët në periudhë afatgjatë.

Bedingfield ka thënë po ashtu se Shtetet e Bashkuara “vazhdojnë të shohin të dhëna për sulmet ruse dhe avancim në vendet që Rusia ka thënë se nuk do të luftojë”.

Rusia ka thënë të martën se do të zvogëlojë operacionet ushtarake rreth Kievit dhe Çernihivit dhe do të fokusohet në rajonin lindor Donbas.

Por, zyrtarët lokalë në Çernihiv, kanë thënë se sulmet kanë vazhduar gjatë natës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se ndonëse sinjalet fillestare nga bisedimet për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë – që janë zhvilluar në Stamboll – kanë qenë “pozitive”, ato nuk kanë parandaluar shpërthimet ruse.

Në një adresim në orët e mbrëmjes më 29 mars, Zelensky ka thënë se shteti i tij mund t’iu besojë vetëm rezultateve konkrete të negociatave.

Ai është zotuar se Ukraina nuk do të zvogëlojë “përpjekjet për mbrojtje”, pasi ushtria ruse ka ende kapacitet për të kryer sulme.

Zelensky po ashtu ka bërë thirrje për kujdes ndaj deklatave të Rusisë se është duke zvogëluar operacionet afër Kievit, duke thënë se kjo nuk nënkupton dhënie fund të luftimeve.

“Situata nuk është bërë më e lehtë”, ka thënë ai.

Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë thënë se duhet pasur kujdes ndaj pretendimeve të Rusisë për zvogëlim të sulmeve.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë më 29 mars se “do të shohim çfarë do të ndodhë” në terren, ndërsa kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se Rusia do të gjykohet nga veprat dhe jo fjalët.

Një negociator rus ka paralajmëruar se zotimi i Rusisë për shtensionim nuk do të thotë “armëpushim”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Intervista- Clark: Shpresoj që Kosova të ftohet së shpejti në NATO, Moska do destabilizimin e Ballkanit

Vendimi për nisjen e fushatës së bombardimeve kundër Serbisë me qëllim të ndaljes së gjenocidit të shtetit serb ndaj popullatës civile në Kosovë ishte një prej momenteve vendimtare për çlirimin e Kosovës. Hartuesi i planit se ku do të binin bombat e lirisë, gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, ka shpjeguar se sa e vështirë ka qenë të merrej vendimi për bombardim në vitin 1999 – vendim të cilin tashmë po e kërkojnë edhe ukrainasit kundër Rusisë.

Intervistoi: Alma Baxhaku

Për tensionimin e situatës në Europë pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, Clark ka thënë se është e qartë që Moska është e interesuar që të destabilizojë edhe Ballkanin, por thotë se shpreson që Kosova të marrë ftesën shpejt për anëtarësim në NATO. Po ashtu, Clark, si një ndër nismëtarët e shtetndërtimit të Kosovës, lavdëron të arriturat e saj, derisa e sheh si një shtet model në rajonin e trazuar ballkanik.

Për Serbinë thotë se mbetet me shpresë që të arrijë të shkëputet nga idetë e vjetra pansllaviste dhe t’i bashkohet modernizmit – larg ideologjisë së shëmtuar të Sllobodan Millosheviqit.

Ushtaraku amerikan thotë se Aleanca Veri-Atlantike duhet të rrisë sigurinë në Europë, pasi një pushtim i mundshëm i Ukrainës nga Rusia do të rrezikonte stabilitetin. Clark thotë se duhet mbështetur Ukraina në çfarëdo forme, derisa potencon se një fushatë e bombardimeve sikur në rastin e Kosovës për momentin nuk është përgjigjja e duhur. Megjithatë, thekson se veprime më të drejtpërdrejta të NATO-s në të ardhmen mund të jenë të nevojshme.

Gazeta Express: Po e shohim tani se sa të vështirë e ka NATO të ndërmarrë veprime për ndaljen e agresionit rus në Ukrainë si ato që ndërmori në vitin 1999 për të ndalë gjenocidin që po ndodhte në Kosovë nga agresioni serb. Sa të vështirë e patët marrjen e vendimit për të filluar kampanjën e bombardimeve kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit?

Wesley Clark : NATO ia kishte bërë të qartë Millosheviqit dhe kishte ndërmarrë veprime për të konfirmuar, se nëse ai rifillonte spastrimin etnik, ai do të përballej me fushatën e bombardimeve. Vendimi për të nisur fushatën [e bombardimeve] ishte marrë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga shefat e qeverive të NATO-s. Unë kam përgatitur koncept-planet dhe jam konsultuar gjatë procesit të vendimmarrjes.

Gazeta Express: Pas gjenocidit që ndodhi në Bosnje, a është dashur t’i besohet Millosheviqit kur ai thoshte se “Kosova është çështje e brendshme” dhe se “nuk do t’i lëndonte njerëzit e tij”? A ka qenë e mundur të parandaloheshin masakrat që ndodhën?

Wesley Clark :  Realisht, nuk ishte e mundur përfshirja e Kosovës në Procesin e Paqes së Dejtonit dhe kështu u deshën sulmet e përshkallëzuara serbe në vitin 1998 për të sjellë nevojën që NATO të merret me Kosovën.

Gazeta Express: A kishte vërtet rrezik për nisjen e Luftës së Tretë Botërore pas hyrjes së forcave ruse në Prishtinë në vitin 1999?

Wesley Clark :  Jo, nuk kishte një rrezik të tillë. Ai ishte thjesht një shqetësim i ekzagjeruar që e shprehu një gjeneral britanik duke qenë nën stres të madh.

Gazeta Express: Madeleine Albright vdiq një ditë para 23 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s, të cilën ajo e konsideroi si krenarinë më të madhe. Si e mbani mend atë?

Wesley Clark : Sekretarja Albright ishte një lidere e fuqishme, parimore, e cila mbronte lirinë dhe demokracinë  – ajo ia dedikoi jetën këtyre parimeve. Ajo besoi se SHBA-ja duhet të udhëhiqte. Ajo mund të ishte e ashpër si përkrahëse për të ndërmarrë veprimet e duhura. Unë isha gjithmonë mirënjohës për njohuritë dhe mbështetjen e saj.

Gazeta Express: Si e shihni Kosovën tani? A ka progres?

Wesley Clark : Kosova ka bërë një progres të jashtëzakonshëm dhe është në rrugën e saj për t’u bërë modele e lirisë dhe demokracisë në rajon. Jam shumë i kënaqur që SHBA-ja ishte në gjendje të ndihmonte popullin e Kosovës në nisjen e këtij udhëtimi. Tani Kosovës i duhen më shumë investime, vazhdimësi të politikave të mençura dhe aftësi për të menaxhuar punët e shtetit për të ndërtuar themelet e sigurisë dhe ekonomisë së saj në një rajon të trazuar.

Gazeta Express: Ka frikë dhe shqetësime në Ballkan që konflikti në Ukrainë mund të përhapet edhe në rajon, sidomos në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. A mendoni se ka rrezik real dhe si duhet të veprojë NATO në këtë rast?

Wesley Clark : Shihet qartë që Rusia është e interesuar në destabilizimin e Ballkanit, por kjo s’ka ndodhur deri më tani. Bashkimi Europian ka përforcuar prezencën në Bosnje dhe z.Dodik është paralajmëruar dhe sanksionuar atje. Serbia po përpiqet në divorcimin e saj nga idetë e vjetra të pansllavizmit dhe imperializmit dhe të kalojë në botën moderne; shpresojmë që kjo mund të ndodhë. NATO është e gatshme të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit në rajon; Shpresoj se Kosova së shpejti do të ftohet për anëtarësim në NATO.

Gazeta Express: Në këtë kontekst, ka ministra dhe zyrtarë serbë që ende nderojnë kriminelin e luftës, Millosheviq. A mendoni që trashëgimia e tij është ende e gjallë?

Wesley Clark : Ka ende grupe radikale në Serbi dhe një nostalgji të zjarrtë për ëndrrat e shëmtuara të frymëzuara nga Millosheviqi. Kjo është për të ardhur keq; Serbia duhet të përballet me Perëndimin për të gjetur të ardhmen e saj të drejtë.

Gazeta Express: 23 vjet pas, sërish një agresion po ndodh ndaj një vendi europian. A mendoni që NATO duhet të ndërhyjë siç bëri në Kosovë?

Wesley Clark: NATO duhet të gjejë mënyra për të forcuar sigurinë në Europë; Një pushtim rus në Ukrainë do ta vendoste në rrezik NATO-n dhe stabilitetin në Europë. Tani për tani, vendet anëtare të NATO-s duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet duke dhënë mbështetje të plotë diplomatike, humanitare dhe ushtarake. Një fushatë ajrore e NATO-s, siç bëmë për Kosovën, nuk është përgjigjja e duhur në këtë pikë, por veprime më të drejtpërdrejta të NATO-s mund të jenë të nevojshme në një moment të ardhshëm./GazetaExpress/

Nuland: Rusia po pëson humbje të mëdha në Ukrainë

RFE/RL

Rusia është duke pësuar humbje “të mëdha” që prej se nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, tha një zyrtare e lartë e Departamentit amerikan të Shtetit, duke shtuar se numri i ushtarëve rusë është mbi 10,000.

“Mendoj se, fatkeqësisht rusët ende nuk e kanë kuptuar plotësisht sesa e fortë është ushtria ukrainase”, tha nënsekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, gjatë një interviste për Current Time.

“Pala ruse po pëson humbje shumë të mëdha – dhe sipas vlerësimeve tona, janë mbi 10,000 rusë të vdekur”, tha Nuland.

Që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, Rusia vetëm dy herë ka dhënë shifra sa i përket ushtarëve që i janë vrarë. Shifrat e prezantuara nga Rusia kanë qenë më të ulëta krahasuar me vlerësimet e paraqitura nga Perëndimi dhe Ukraina.

Më 2 mars, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë kishte thënë se 498 ushtarë ishin vrarë, ndërkaq më 25 mars, raportoi për 1,351 ushtarë të vrarë rusë. Ndërkaq, zyrtarët ukrainas kanë thënë se numri i ushtarëve të vrarë rusë është mbi 17,000.

Shifrat e prezantuara nga Rusia dhe Ukraina janë të pamundura që të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Nuland tha se Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur rundin e bisedimeve Ukrainë-Rusi që u mbaj më 29 mars në Stamboll, por theksoi se pa ndalimin e armiqësive nuk mund të zhvillohet asnjë negociatë serioze.

“Derisa nuk ka një armëpushim të vërtetë, nuk mendoj se do të shohim bisedime serioze”, tha ajo.

Nuland tha se vendimi i Moskës për të ripozicionuar forcat e saj, siç njoftoi më 29 mars zëvendësministri i Mbrojtjes së Rusisë, Aleksandr Fomin, ishte “rezultat i drejtpërdrejtë i rezistencës së fortë që ukrainasit po bëjnë jashtë Kievit dhe në Çernihiv”.

“Megjithatë, ne e dimë se ky është vetëm ripozicionim i forcave ruse dhe ata do të shkojnë në pjesë të tjera të Ukrainës dhe do të vazhdojnë ta bombardojnë Mariupolin e Hersonin dhe pjesë të tjera të vendit”, tha ajo.

“Zgjidhjet diplomatike të konfliktit zakonisht vijnë pas një armëpushimi, jo në mes të luftimeve. Dhe rusët absolutisht nuk kanë qenë të gatshëm të ketë një armëpushim të plotë në mënyrë që negociatat të bëhen serioze”, u shpreh Nuland, duke shtuar se kushdo që negocion për dhënien fund të konfliktit duhet të sigurojë se Ukraina do të jetë në gjendje në të ardhmen të parandalojë përsëritjen e agresionit.

“Prandaj, Ukrainës do t’i duhet një lloj mbështetjeje e sigurisë për arsenalin e saj që iu desh të përdorte në këtë konflikt, nëse i duhet që ta ndalë Rusinë që të tentojë sërish. Prandaj, ne do të vazhdojmë, që së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, të ofrojmë mbështetje të fuqishme të sigurisë për Ukrainën”.

E pyetur nëse Perëndimi do t’i përgjigjet kërkesës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për sisteme të mbrojtjes ajrore nga shtetet që kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik, Nuland tha, pa dhënë detaje, se “e konfirmoj se jemi duke e shqyrtuar këtë gjë dhe veçse kemi ofruar mbështetje të rëndësishme të sistemeve të mbrojtjes ajrore për Ukrainën”.

Ajo po ashtu paralajmëroi se nëse Rusia nuk e ndalon agresionin e saj ndaj Ukrainën rrezikon që të përballet me më shumë sanksione nga Perëndimi.

“Për aq kohë sa lufta vazhdon, ne dhe aleatët e partnerët tanë planifikojmë të rrisim presionin ndaj [presidentit rus, Vladimir] Putin dhe Qeverisë së tij në baza javore dhe do t’ia mohojmë atij paratë që i duhen për makinën e tij të luftës”, tha Nuland.

Arkiv: LEKA BUÇAJ: KAM QENË NËN KOMANDËN E GJENERALIT WESLEY CLARK – NUK ISHA PILOT, POR PJESE E SHERBIMIT INTELIGJENT

Arkivi i Voal.ch kujton fushatën 78 ditore të NATO-s, që startoi më 24 Mars 1999 për të ndalur makinerinë kriminale të Milosheviçit, Hitlerit të Ballkanit që e përgjaku gjithë ish-Jugosllavinë.

Vatrani Lek Buçaj, i biri i ish Kryetarit të Vatrës Dr.Gjon Buçaj do të deklaronte për mediat e Kosovës:

DEKLARATA e Lek Buçajt NE RTK-

“E kam ndjerë veten krenar. Kam dashtë të bëja edhe ma tepër, por nuk dija si, si mund të bëja më tepër. Çdo dy ditë ishim nëpër fluturime nja 10-12 orë./

Vatrani Leka Buçaj, i biri i ish Kryetarit të Vatrës Dr.Gjon Buçajt, ishte me një nga ekipet qe fluturuan me aeroplanet e NATO-s në bombardimet e Serbisë/

Nën komandën e Wesley Clark ka qenë edhe Vatrani Leka Buçaj. Ai në një deklaratë dhënë për RTK-në ka rrëfyer pasionin e tij që kishte për te qene pjese e çlirimit te Kosoves.“E kam ndjerë veten krenar. Kam dashtë të bëja edhe ma tepër, por nuk dija si, si mund të bëja më tepër. Çdo dy ditë ishim nëpër fluturime nja 10-12 orë. Atëherë u kthefshim për nja 7-8 orë pushonim, atëherë prapë në ajër. Por, thash, si mund të marr pjesë edhe ma fort….synoja që vetë të bija poshtë dhe t’u ndihmoja diqysh populates”, ka rrëfyer Buçaj.

Më tutje Lek Buçaj sqaron: “Po, asht e vërtetë se kam qenë nen komandën e gjeneralit Wesley Clark dhe kam fluturue mbi Kosovën gjatë bombardimevet, si pjesë e personelit ajror, por nuk kam qenë pilot. Aeroplani në të cilin kam fluturue (jo si pilot), nuk ka lëshue bomba, por ka pasë nji tjeter funksion (Inteligence), edhe ai me shumë randësi per bombardimet, tue qëndrue 12 orë në ajër në ditë. Nuk kam qenë pilot, por pjesë e shërbimit inteligjent”!

Lek Buçaj ka treguar se për të ka qene e papërshkrueshme ndjenja e nisjes në luftë me NATO-n, për ta çliruar Kosovën./voal.ch

Presidenti Biden: Putini nuk duhet të qëndrojë në pushtet

VOAL/Marrë nga Reuters

Gjatë një fjalimi të rëndësishëm, që i dha fund vizitës së tij dyditore në Poloni, Presidenti amerikan Joe Biden, tha se Presidenti rus Vladimir Putin nuk duhet të qëndrojë më në pushtet dhe se lufta e tij kundër Ukrainës ka qenë një dështim strategjik për Moskën. Komentet zoti Biden i bëri të shtunën para një turme njerëzish të mbledhur në Varshavë.

Presidenti tha se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës kërcënon sigurinë globale dhe se vendet demokratike duhet të përgatiten për një luftë të gjatë kundër autokracisë.

 

Perëndimi është tashmë më i fortë dhe më i bashkuar se kurrë“, tha Presidenti Biden para qindra zyrtarëve të zgjedhur polakë, studentëve e personelit të ambasadës amerikane.

Duke e quajtur luftën kundër Vladimir Putinit një “betejë të re për liri”, Presidenti Biden tha se dëshira e Vladimir Putinit për “pushtet absolut” ishte një dështim strategjik për Rusinë dhe një sfidë e drejtpërdrejtë për paqen evropiane që ka mbizotëruar që nga Lufta e Dytë Botërore.

Komentet e Presidentit Biden në Kështjellën Mbretërore të Varshavës erdhën pas një takimi të tij me refugjatët ukrainas që janë strehuar në kryeqytetin polak, ku zoti Biden e cilësoi Presidentin rus Putin “kasap”, duke iu referuar asaj që po ndodh në Ukrainë.

Më herët Presidenti amerikan garantoi Poloninë se Shtetet e Bashkuara do të mbronin çdo pëllëmbë të NATO-s në rast të një sulmi nga Rusia.

 

Gjatë një takimi me Presidentin polak Andrzej Duda ai tha se Varshava po mbante barrën më të madhe të krizës së refugjatëve të krijuar nga lufta në Ukrainë, një vend fqinj me të.

Stabiliteti në Evropë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, për sa i përket interesave tona jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën“, tha Presidenti Biden gjatë takimit me homologun e tij polak në prani të delegacioneve respektive.

Zoti Biden tha se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë nenin 5 të Traktatit të NATO-s si një angazhim të shenjtë duke shtuar se uniteti i aleancës ushtarake perëndimore ishte i një rëndësie të madhe. Neni 5, nënvizon një parim unik dhe të qëndrueshëm që lidh anëtarët e aleancës së bashku, duke i angazhuar ata të mbrojnë njëri-tjetrin.

 

Presidenti amerikan i tha homologut të tij polak se ai e kuptonte që Polonia po merrte përsipër një përgjegjësi të madhe, por kjo sikurse tha ai, duhet të jetë e gjitha përgjegjësi e NATO-s. Presidenti amerikan tha se ishte i bindur se Vladimir Putin po bënte llogari për të përçarë NATO, gjë që nuk ka qenë në gjendje ta bëjë, pasi siç theksoi ai: “Aleanca ka qëndruar e gjitha bashkë”.

Duke i bërë jehonë një prej motoje jozyrtare të Polonisë presidenti amerikan i tha zotit Duda se: “Liria juaj është liria jonë”. Që nga fillimi I luftës më shumë se 3.7 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe mbi 2 milionë prej tyre ndodhen në Poloni.

Pentagoni konfirmon se Kremlini ka refuzuar thirrjet e shumta nga Gjenerali Mark Milley dhe Sekretari i Mbrojtjes Austin

Pentagoni konfirmon se Kremlini ka refuzuar thirrjet e shumta nga Gjenerali Mark Milley dhe Sekretari i Mbrojtjes Austin:

Mungesa e komunikimit midis fuqive më të mëdha bërthamore në botë shkakton edhe më shumë frikë nga një katastrofë ndërsa raketat fluturojnë në Ukrainë

Pentagoni tha të enjten se përpjekjet për të krijuar telefonata me zyrtarë të lartë ushtarakë rusë ishin injoruar

Ajo vjen pasi avionët rusë operojnë afër kufijve të NATO-s me Ukrainën duke rritur shanset për një llogaritje të gabuar

“Ne kemi bërë përpjekje të shumta këtu, por ato nuk janë përgjigjur”, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

Kjo do të thotë se dy fuqitë më të mëdha bërthamore në botë janë në errësirë për lëvizjet e njëra-tjetrës

Kirby tha gjithashtu se forcat e armatosura ukrainase i kishin shtyrë forcat tokësore ruse më tej nga Kievi./dailymail.co.uk

Valë e re sanksionesh amerikane ndaj politikanëve dhe oligarkëve rusë

RFE/RL

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj më shumë se 400 politikanëve, oligarkëve dhe kompanive ruse për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga ana e Rusisë.

Departamenti amerikan i Thesarit ka thënë më 24 mars se ka zgjeruar listën e të sanksionuarve, duke përfshirë kompani ruse të mbrojtjes, 328 anëtarë të Dumës Shtetërore dhe shefin e institucionit më të madh bankar në Rusi, Sberbank.

“Sot, ky është vendimi i fundit për të vendosur kosto të rëndë ndaj Federatës Ruse për luftën e paligjshme dhe të pabazë kundër Ukrainës”, ka thënë Thesari amerikan.

“Ky vendim është i lidhur me veprime të ngjashme të marra nga Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja dhe reflekton unitetin e vazhdueshëm për të mbajtur (presidentin rus, Vladimir) Putin përgjegjës për luftën”, ka thënë ai.

Në listë përfshihet shefi i Sberbank, Herman Gref, i cili ka qenë njeri i afërt me Putinin prej viteve 1990.

Në deklaratë është thënë se do të ngrihet prona e të gjithë të sanksionuarve në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Këshilltarja për Sigurinë e Presidentit Biden Dr. Liz Sherwood-Randall: Përkushtim i palëkundur i SHBA ndaj sovranitetit & integritetit territorial të Kosovës, si dhe ndaj sigurisë rajonale

Përmbledhje e vizitës së Këshilltares për Sigurinë Kombëtare, Dr. Liz Sherwood-Randall

Gjatë javës së 14 marsit, ndihmësja e presidentit për Sigurinë Kombëtare, Dr. Liz Sherwood-Randall udhëhoqi një delegacion të SHBA-së në Prishtinë, Kosovë. Gjatë vizitës, Dr. Sherwood-Randall u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriun, dhe me kryeministrin Albin Kurti, dhe vizitoi kampin Lija (Liya) dhe kampin Bondsteel.

Dr. Sherwood-Randall theksoi sërish përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe ndaj sigurisë rajonale, siç është demonstruar përmes lidershipit të qëndrueshëm të SHBA-së në misionin e Forcës së Kosovës të NATO-s (KFOR) dhe mbështetjes përmbajtësore për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) përderisa ajo vazhdon zbatimin e planit të saj dhjetëvjeçar të tranzicionit. Dr. Sherwood-Randall shprehu falënderime të thella presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti për përkrahjen në vazhdim të Kosovës për strehimin e përkohshëm të afganëve të cenueshëm në kampin Liya, gjersa ata kalojnë në shtëpitë e tyre të ardhshme, për partneritetin e Kosovës në kundërshtimin e terrorizmit, dhe për aktet e solidaritetit të Kosovës me popullin e Ukrainës./www.whitehouse.gov/19 Mars 2022


Send this to a friend