VOAL

VOAL

Donald Trump kthehet në Uashington për një fjalim politik

VOAL/Marrë nga Associated Press

Ish-presidenti Donald Trump do të kthehet të martën në Uashington, për herë të parë që nga largimi nga detyra, për të mbajtur një fjalim për politikën, përpara një grupi studimor aleat që ka hartuar një agjendë për një mandat të dytë të mundshëm.

Ish presidenti Trump do t’i drejtohet takimit dy ditësh të Institutit Politik Amerika e Para (AFIP), ndërsa disa këshilltarë po e nxisin atë të kalojë më shumë kohë duke folur për pikëpamjet e tij për të ardhmen dhe më pak kohë duke u ndërlidhur me zgjedhjet e 2020-ës, ndërsa përgatitet të shpallë një fushatë të pritshme për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.

“Unë besoj se do të jetë një fjalim shumë i përqendruar në politika, me shikim përpara, më shumë si një fjalim mbi gjendjen e kombit 5.0”, tha presidentja e AFPI-së, Brooke Rollins. E përbërë nga ish-zyrtarë dhe aleatë të administratës së zotit Trump, organizata jofitimprurëse shihet gjerësisht si një “administratë në pritje” që mund të zhvendoset shpejt në krahun perëndimor (të Shtëpisë së Bardhë) nëse zoti Trump do të kandidonte përsëri dhe do të fitonte.

Paraqitja e zotit Trump në Uashington, udhëtimi i tij i parë që nga 20 janari i vitit 2021, kur presidenti Joe Biden bëri betimin, ndodh ndërsa rivalët e tij të mundshëm në zgjedhjet e vitit 2024 kanë ndërmarrë hapa gjithnjë e më të hapur për të sfiduar statusin e tij si flamurtar i partisë. Në mesin e tyre është edhe ish nënpresidenti Mike Pence, i cili ka promovuar “Agjendën e tij të Lirisë” në fjalimet që shërbejnë si një kontrast i nënkuptuar me zotin Trump.

“Disa njerëz mund të zgjedhin të përqendrohen në të kaluarën, por unë besoj se konservatorët duhet të përqendrohen në të ardhmen. Nëse e bëjmë këtë, ne nuk do të fitojmë vetëm zgjedhjet e ardhshme, ne do të ndryshojmë rrjedhën e historisë amerikane për gjenerata”, kishte planifikuar të thoshte zoti Pence në një fjalim në Fondacionin Heritage në Uashington në prag të vizitës së zotit Trump. Paraqitja e zotit Pence u shty për shkak të motit të lig, por ai do të mbajë fjalimin e tij të martën në mëngjes përpara Fondacionit të Amerikës së Re, jo shumë larg takimit të AFPI-së.

Ish presidenti Trump ka shpenzuar shumë kohë që nga largimi nga detyra i përqendruar në zgjedhjet e vitit 2020 dhe duke përhapur gënjeshtra për humbjen e tij për të mbjellë dyshime për fitoren e presidentit Biden. Në të vërtetë, edhe kur komisioni i 6 janarit po nxirrte në pah përpjekjet e tij të dëshpëruara dhe potencialisht të paligjshme për të qëndruar në pushtet dhe refuzimin e tij për të larguar një turmë të dhunshme të mbështetësve të tij ndërsa ata përpiqeshin të ndalonin kalimin paqësor të pushtetit, zoti Trump vazhdoi të përpiqej t’u bëjë trysni zyrtarëve për të përmbysur fitoren e zotit Biden, pavarësisht se nuk ka mjete ligjore për të rrëzuar zgjedhjet e kaluara.

“Presidenti Trump sheh një komb në rënie, pjesërisht për shkak të rritjes së krimit dhe komuniteteve që janë bërë më të pasigurta për shkak të politikave demokrate”, tha zëdhënësi i tij, Taylor Budowich. “Fjalimi i tij do të nxjerr në pah dështimet e politikave të demokratëve, ndërsa do paraqes një pikëpamje të ‘Amerika e para’ për sigurinë publike që me siguri do të jetë një çështje përcaktuese për zgjedhjet për Kongresin dhe përtej”.

Përtej takimit të lartë, personeli AFPI ka hedhur themelet për të ardhmen, “duke u siguruar që të kemi politikat, personelin dhe procesin e përcaktuar për çdo agjenci thelbësore kur të marrim përsëri Shtëpinë e Bardhë”, tha zonja Rollins.

Organizata jofitimprurëse u zhvillua, tha ajo, nga përpjekjet për të shmangur ditët e hershme kaotike të mandatit të parë të zotit Trump, kur ai arriti në Shtëpinë e Bardhë i papërgatitur, pa plane të qarta e të gatshme për t’u zbatuar. Ndërsa zoti Trump po kandidonte për rizgjedhje, zonja Rollins, në atë kohë shefe e Këshillit të Politikave të Brendshme të zotit Trump, filloi të hartonte një agjendë të mandatit të dytë me zyrtarë të tjerë të administratës, përfshirë këshilltarin e lartë të politikës ekonomike Larry Kudlow dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare, Robert O’Brien.

Kur u bë e qartë se zoti Trump do të largohej nga Shtëpia e Bardhë, tha ajo, AFPI u krijua për të vazhduar punën “të organizuar rreth asaj agjende të mandatit të dytë që ne nuk e publikuam kurrë”.

Organizata, është shndërruar në një gjigant, me një buxhet operativ prej rreth 25 milionë dollarësh dhe 150 pjesëtarë të personelit, përfshirë 17 ish zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë dhe nëntë ish anëtarë të kabinetit.

Grupi gjithashtu ka më shumë se 20 qendra politikash dhe është përpjekur të zgjerojë shtrirjen e tij përtej Uashingtonit me orvatjet për të ndikuar në legjislaturat lokale dhe bordet e shkollave. Një “nismë e udhëheqjes amerikane”, e drejtuar nga ish shefi i Zyrës së Menaxhimit të Personelit, Michael Rigas, filloi disa javë më parë të identifikojë personelin e ardhshëm besnik ndaj zoti Trump dhe qasjes së tij “Amerika e para”, të cilët mund të punësoheshin si pjesë e një përpjekjeje më të madhe, për të zëvendësuar pjesë të mëdha të shërbimit civil, raportoi së fundmi gazeta në internet Axios.

Grupi është një nga disa organizatat aleate të zoti Trump që kanë vazhduar të çojnë përpara politikat e tij në mungesë të tij, duke përfshirë ‘America First Legal’, e përkushtuar për të luftuar agjendën e presidentit Biden përmes sistemit gjyqësor, Qendrën për Ripërtëritjen e Amerikës dhe Institutin e Partneritetit Konservator.

Takimi synon të nxjerrë në pah “Agjendën Amerika e para” të AFPI-së, e përqendruar në rreth 10 fusha kryesore të politikave, duke përfshirë ekonominë, kujdesin shëndetësor dhe sigurinë e zgjedhjeve. Ai përfshin shumë nga çështjet që mbajnë vulën e zotit Trump, si vazhdimi i ndërtimit të një muri përgjatë kufirit jugor dhe një plan për “çmontimin e shtetit administrativ”.

Në një fjalim të hënën, ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich, “Kontrata me Amerikën” e të cilit është vlerësuar se ndihmoi fitoren e republikanëve në zgjedhjet afatmesme të vitit 1994, e vlerësoi përpjekjen si çelësin për fitoren e ardhshme të Partisë Republikane.

“Populli amerikan kërkon zgjidhje”, tha ai.

Biden infektohet me koronavirus

Presidenti amerikan, Joe Biden, është infektuar me koronavirus dhe ka simptoma të lehta, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

Biden është i vaksinuar plotësisht kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi, si dhe ka marrë dy doza përforcuese të vaksinës.

“Këtë mëngjes, Presidenti Biden ka rezultuar pozitiv në COVID-19. Ai është i vaksinuar plotësisht, ka doza përforcuese dhe aktualisht ka simptoma të lehta. Ai ka nisur të trajtohet me Paxlovid. Sipas udhëzimeve të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, ai do të izolohet në Shtëpinë e Bardhë dhe do të vazhdojë të kryejë detyrat e tij gjatë asaj kohe”, ka thënë Sekretarja për Media në Shtëpinë e Bardhë, Karine Jean-Pierre.

Ai është thënë se do të marrë pjesë në takime përmes telefonit apo platformës Zoom.
Paul Offit, drejtor i Qendrës për Krijimin e Vaksinave në Spitalin e Fëmijëve në Filadelfia të SHBA-së.

Kjo është hera e parë që Biden, 79-vjeçar, është infektuar me koronavirus.

Ai ka rezultuar negativ në këtë virus për herë të fundit ditën e martë.

Paxlovid është ilaç antiviral i kompanisë Pfizer për trajtim të COVID-19.

Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020. rel

Shefi i CIA-s: S’ka informacione të inteligjencës se Putini është i sëmurë

RFE/RL

Nuk ka informacione të inteligjencës që thonë se presidenti rus, Vladimir Putin, është në gjendje të keqe shëndetësore, tha drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), William Burns.

Ka pasur spekulime të pankofirmuara mediatike se Putin, i cili këtë vit mbush 70 vjet, nuk është mirë me shëndet dhe ndoshta vuan nga kanceri.

Por, Burns tha se nuk ka asnjë të dhënë që sugjeron për një gjë të tillë, dhe me të qeshur tha se Putin duket “shumë mirë me shëndet”.

“Ka plot thashetheme lidhur me shëndetin e presidentit Putin dhe deri më tani ne mund të themi se ai është plotësisht shumë i shëndetshëm”, tha Burns gjatë Forumit të Sigurisë Aspen në Kolorado.

Pasi publiku reagoi me të qeshura ndaj kësaj deklarate, ai shtoi se ky nuk ishte një gjykim zyrtar i inteligjencës.

Burns ka qenë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Moskë dhe për dy dekada ka vëzhguar dhe është marrë me liderin rus.

Putin është “një besimtar i madh në kontroll, frikësim dhe hakmarrje” dhe këto veti janë forcuar gjatë dekadës së fundit, pasi rrethi i tij i këshilltarëve është tkurrur, tha shefi i CIA-s.

“Ai është i bindur se fati i tij si udhëheqës i Rusisë është për të rivendosur Rusinë si një fuqi të madhe. Ai beson se çelësi për ta bërë këtë është të rikrijojë një sferë ndikimi në fqinjësinë e Rusisë dhe ai nuk mund ta bëjë këtë pa e kontrolluar Ukrainën”, shtoi Burns.

Shefi i CIA-s kishte vizituar Moskën nëntorin e kaluar dhe kishte paralajmëruar Rusinë për pasoja serioze nëse e pushton Ukrainën, pasi inteligjenca amerikane kishte mbledhur informacione për planet e Moskës. Por Burns tha se nga ai udhëtim ishte kthyer më i shqetësuar sesa ishte para se të nisej për në Rusi.

Në pushtimin që ka nisur pesë muaj më parë, Rusia ka arritur të pushtojë pjesë në lindje dhe jug të Ukrainës, por ka dështuar që ta përmbushë qëllimin fillestar që ishte marrja nën kontroll e Kievit dhe që atëherë pretendon se objektivi kryesor që në fillim ka qenë “çlirimi” i rajonit lindor të Donbasit.

SHBA-ja ka akuzuar Rusinë se po përgatitet që të aneksojë më shumë pjesë të Ukrainës.

Zonja e Parë e Ukrainës do t’i drejtohet Kongresit gjatë vizitës në SHBA

Zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në SHBA,  do t’i drejtohet me një fjalim Kongresit amerikan të mërkurën, pas takimit me Presidentin Joe Biden. Fjalimi synon të rrisë mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, ndërkohë që Rusia vazhdon presionin ushtarak në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës, duke synuar qytete të tilla si Kramatorsk dhe Sloviansk.

Ndërsa të martën, Olena Zelenska u prit nga  Zonja e Parë e SHBA, Jill Biden në një takim në Shtëpinë e Bardhë.

Takimi më i fundit mes tyre ndodhi gjatë vizitës së paparalajmëruar të zonjës Biden në Ukrainën perëndimore, njoftoi VOA, në muajin maj, vizitë gjatë së cilës ato vizituan një shkollë dhe iu bashkuan një grupi fëmijësh që po përgatisnin dhurata, me rastin e ditës së nënës.

Presidenti Joe Biden i dhuroi zonjës së parë ukrainase një buqetë me lule, me ngjyrat e flamurit të Ukrainës.

Shtëpia e Bardhë tha se zonja Zelenska po viziton Uashingtonin “për të nënvizuar koston njerëzore të agresionit rus në Ukrainë. Në takimet me zyrtarët amerikanë pritet të diskutohet rreth mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për qeverinë e Ukrainës dhe popullin e saj, në mbrojtje të demokracisë, si dhe mbi përballjen me pasojat e mëdha të luftës, pasoja që do të ndihen për vite me radhë”.

Të hënën, zonja Zelenska u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit të Antony Blinken.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se zonja Zelenska dhe zoti Blinken biseduan mbi “kostot e mëdha njerëzore e në rritje të sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë”. Ai vuri në dukje se zoti Blinken theksoi përkushtimin e SHBA-ve për të mbështetur Ukrainën.

“Sekretari Blinken përgëzoi punën e Zonjës së Parë Zelenska për të ndihmuar ukrainasit e prekur nga lufta”, tha zoti Price. “Ai përsëriti se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë për Ukrainën në mënyrë që t’i përgjigjet sfidave të rëndësishme ekonomike dhe humanitare, përfshirë mbështetjen e iniciativës së zonjës së parë mbi shëndetin mendor, për qytetarët e prekur nga lufta”.

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Biden nënshkruan urdhër kundër ndalimit të shtetasve amerikanë jashtë vendit

RFE/RL

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka nënshkruar një urdhër më 19 korrik, që ka për synim të pengojë shtetet që të ndalojnë dhe ndëshkojnë padrejtësisht shtetasit amerikanë jashtë vendit.

Kjo masë do t’i lejojë agjencitë e Qeverisë amerikane që të vendosin sanksione dhe masa të tjera ndaj atyre që “padrejtësisht ndalojnë” amerikanë, tha një zyrtar amerikan gjatë një konference me gazetarë para se Biden të nënshkruante urdhrin.

Kjo lëvizje vjen pasi së fundmi disa shtetas amerikanë janë arrestuar në Rusi, përfshirë edhe basketbollisten, Brittney Griner. Autoritetet ruse kanë thënë se kanë gjetur vaj kanabisi në valixhen e saj, kur ajo po kalonte nëpër aeroportin Sheremetevo në muajin shkurt.

Shtetasi tjetër amerikan, ish-marinsi, Paul Whelan, është arrestuar në dhjetor të vitit 2018 dhe është akuzuar për spiunazh. Ai ka mohuar akuzat, por në qershor të vitit 2020 është dënuar me 16 vjet burgim.

Biden “është i përkushtuar që të zgjidhen të gjitha këto raste”, tha zyrtari amerikan.

Në të njëjtën kohë, Uashingtoni dëshiron të krijojë një strategji parandaluese që rrit pasojat për marrjen e pengjeve, përfshirë vendosjen e sanksioneve financiare dhe të udhëtimit.

Fondacioni James W.Foley, thotë se 64 amerikanë aktualisht janë të ndaluar padrejtësisht ose po mbahen pengje.

Ky fondacion është themeluar në emër të James Foley, gazetarit amerikan që u rrëmbye dhe vra në Siri më 2014.

Urdhri i presidenti Biden vjen pasi ish-marinsi amerikan, Trevor Reed, u përfshi në një shkëmbim të të burgosurve, përkatësisht me Konstantin Yaroshenko, një pilot rus që kishte qenë i burgosur në SHBA nën akuzat për trafikim droge.

The Times: Mike Pompeo gati të kandidojë kundër Donald Trump për presidencë

Mike Pompeo, ish-sekretari amerikan i shtetit që mendohet si besnik i Donald Trump, tha për The Times se ishte i përgatitur të kandidonte kundër ish-presidentit për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.

Pompeo, 58 vjeç, i cili ishte edhe drejtor i CIA-s, ka mbajtur fjalime dhe ka drejtuar reklama në shtetet e hershme të emërimit të Ioëa-s, Neë Hampshire dhe Karolinës së Jugut, pasi rikthimit.

Të besuarit thonë gjithashtu se Trump po synon të shpallë rikthimin e tij përpara zgjedhjeve afatmesme të nëntorit, në një lëvizje që shihet sa më shumë për të shmangur rivalët dhe për të penguar Departamentin e Drejtësisë nga ngritja e akuzave për trazirat e 6 janarit në Kapitolin e SHBA-ve të vitit të kaluar.

Trump është përpjekur të pengojë pretendentët republikanë të marrin pjesë në një garë paraprake kundër tij, por Pompeo tha se ai do të vendoste pas zgjedhjeve të ndërmjetme në konsultim me këshilltaren e tij më të afërt, gruan e tij Susan, pavarësisht se kush tjetër do të konkurronte.

“Nëse arrijmë në përfundimin se është vendi i duhur për ne dhe mendojmë se kjo është koha e duhur që ne të shkojmë të shërbejmë. . . ne do të shkojmë dhe do ta bëjmë çështjen sa më mirë që mundemi”, tha Pompeo.

Është një strategji e rrezikshme për dikë në pozicionin e tij që do të preferonte të shmangte zemërimin e Trump.

Por ai duhet të bëjë ndërhyrje kundër Ron DeSantis, guvernator i Floridës, i cili ka më shumë tërheqje me bazën Trump.

Pompeo ishte i lidhur ngushtë me Trump, sa fillimisht ai refuzoi të pranonte fitoren zgjedhore të Presidentit Biden.

Ish-presidenti ka thënë më parë se do të zbulonte vendimin e tij për të kandiduar sërish pas votimit të nëntorit, por kuptohet se po bëhet i paduruar për shfaqjen e rivalëve.

Sondazhet e fundit sugjerojnë se gati gjysma e votuesve republikanë paraprakisht duan një alternativë për të.bw

Del autopsia, ja shkaku i vdekjes së Ivana Trump

Ivana Trump, ish-bashkëshortja e parë e ish-presidentit Donald Trump vdiq nga plagët e marra pas rrëzimit nga shkallët.

Në këtë përfundim ka dalë autopsia e kryer pas vdekjes së Trump, ku nënvizohet se vdekja e saj ka qenë aksidentale.

Ivana Trump, e cila ka lindur në Çekosllovaki, u martua me ish-presidentin në vitin 1977. Ata u divorcuan 15 vjet më vonë në 1992. Ata kanë tre fëmijë së bashku – Donald Jr, Ivanka dhe Eric Trump.

Pas ndarjes së tyre, Trump vazhdoi të publikonte linjat e saj të produkteve të bukurisë, veshjeve dhe bizhuterive.

Ajo mori meritën për rritjen e fëmijëve të tyre në librin e saj të kujtimeve të vitit 2017, “Raising Trump”.

Në libër, ajo shtoi se marrëdhënia e saj me zotin Trump ishte përmirësuar që nga divorci i tyre.

Familja Trump e lavdëroi atë në një deklaratë si “një forcë në biznes, një atlete e klasit botëror, një bukuri rrezatuese dhe nënë dhe mike e kujdesshme”. Express

FOTOT- Zbulohen detaje nga vdekja e Ivana Trump! Rrëfimi mes lotësh i pronares së restorantit: Pak orë para ngjarjes, erdhi dhe porositi…”!

“The Sun” zbulon të tjera detaje rreth vdekjes së bashkëshortes së parë të Donald Trump, 73-vjeçares Ivana Trump.

“Ivana Trump duke e lodhur dhe porositi vetëm një sasi shumë të vogël ushqimi në restorantin e saj të preferuar në Nju Jork, vetëm disa orë para se të gjendej e vdekur në fund të një shkalle”, nis shkrimin prestigjiozja britanike.

 

Ivana, ish-gruaja e ish-Presidentit Donald Trump dhe nënë e tre fëmijëve të tij më të mëdhenj, vetëm dje kishte bërë një vizitë në restorantin e saj të preferuar, që ndodhet vetëm pak metra larg apartamentit të saj.

 

“Ajo ishte një vizitore e rregullt në restorantin italian dhe dukej me humor të mirë”, tha mes lotësh pronarja e restorantit, Paola Alavian, për “The Sun“.

 

“Si gjithmonë ajo më pyeti se si isha, ajo gjithmonë na mbështeste, dhe ne thjesht ndamë një bisedë jashtëzakonisht normale, nga ajo që kisha pothuajse çdo ditë që e shihja”, vazhdon Alavian, duke shtuar se “shëndeti i saj dukej normal, ajo dukej ndoshta pak e lodhur, por dukej në rregull”. Alavian tha se nuk mbante mend se çfarë porositi Ivana, por e përshkroi vaktin e saj si një “sasi shumë, shumë të vogël ushqimi”.
“Jam pak në shok tani”, shtoi ajo me zërin që i dridhej, duke shtuar se “Nuk e kam idenë se çfarë ka ndodhur. Ajo ishte një njeri i shkëlqyer, ishte një person vërtet i mirë. Ishte si një nënë për të gjithë këtu”.

 

(BalkanWeb)

Ivana Trump, gruaja e parë e ish-presidentit, vdes në moshën 73 vjeçare

VOA/Marrë nga Associated Press

NJU JORK – Ivana Trump, ish-skiatorja që në vazhdim u bë sipërmarrëse dhe përfaqësonte gjysmën e një çifti të fuqishëm në vitet 1980, gruaja e parë e ish-Presidentit Donald Trump dhe nëna e tre fëmijëve të tij më të rritur, ka vdekur në Nju Jork, njoftoi të enjten familja. Ajo ishte në moshën 73-vjeçare.

Ish-Presidenti Trump shkruajti në aplikacionin e medias sociale që ka themeluar se ajo vdiq në shtëpinë e saj në Nju Jork.

“Ajo ishte një grua e mrekullueshme, e bukur dhe mahnitëse, që pati një jetë të shkëlqyer dhe frymëzuese”, shkruajti ai në rrjetin social Truth Social. Çifti pati tre fëmijë, Donald Jr, Ivank-an dhe Eric-un.

“Ishte shumë krenare për ta, ashtu siç ishim të gjithë ne krenarë për të”, shkruajti ai. “Pusho në paqe, Ivana!”.

Dy persona në dijeni të çështjes i thanë agjencisë së lajmeve Associated Press se policia po heton nëse Ivana Trump ka rënë nga shkallët dhe se mendon se vdekja e saj ishte aksidentale.

Ajo u gjet pa ndjenja në shtëpi pranë shkallëve, thanë dy personat. Ata nuk munden të flasin publikisht për këtë çështje dhe folën me agjencinë e lajmeve Associated Press në kushte anonimiteti. Zyra e mjekut ligjor do të përcaktojë shkakun zyrtar të vdekjes.

“Ka qenë një ditë shumë e trishtuar, një ditë shumë e trishtuar”, tha Eric Trump ndërsa po largohej nga shtëpia e nënës së tij në Manhattan.

Në një deklaratë, ai dhe fëmijët e tjerë e quajtën atë “një grua të pabesueshme – një forcë në biznes, një atlete e klasit botëror, një bukuri rrezatuese dhe një nënë dhe mike e kujdesshme”, si dhe një e mbijetuar.

“Ajo iku nga komunizmi dhe përqafoi këtë vend”, vazhdoi deklarata e tyre. “Ajo u mësoi fëmijëve të saj për kurajon dhe ashpërsinë, dhembshurinë dhe vendosmërinë”.

Ish-atlete e skive, me origjinë çeke, dhe ndonjëherë edhe modele, Ivana Trump u martua me presidentin e ardhshëm në vitin 1977.

Publikohen pamjet e sulmit me armë në shkollën fillore të Teksasit

VOA

Një gazetë në shtetin juglindor amerikan të Teksasit publikoi pamjet nga kamerat e sigurisë të sulmit me armë në një shkollë fillore në Uvalde të Teksasit dhe ndërhyrjen e policisë në masakrën e majit ku u vranë 19 fëmijë dhe dy mësues. Pamjet janë të redaktuara dhe të rënda për t’u parë.

Në pamjet shqetëuese 90 minutëshe të publikuara të martën në faqen e gazetës “Austin American Statesman”, shihet sulmuesi 18 vjeçar, Salvador Ramos duke hyrë në shkollën fillore në Uvalde, para se të fillojë të qëllojë me armë zjarri në drejtim të fëmijëve.

Policia futet në shkollë vetëm pak minuta më vonë. Fillimisht disa oficerë nxituan drejt klasës, por u tërhoqën pasi dëgjuan të shtëna të tjera.

Të tjerë oficerë policie futen në shkollë, disa prej të cilëve kishin pajisjet e duhura mbrojtëse.

Por, në pamjet e redaktuara shihet se oficerët vazhdojnë të qëndrojnë në fund të korridorit për 77 minuta pa ndërhyrë, edhe pasi kishin dëgjuar të shtëna të tjera.

Dy oficerë të Patrullës Kufitare të Shteteve të Bashkuara më në fund futen në klasë, duke qëlluar dhe vrarë sulmuesin Ramos.

19 fëmijë dhe 2 mësues u vranë në këtë masakër.

Dështimi i agjencive për zbatimin e ligjit në Uvalde për të ndërhyrë menjëherë, si dhe hetimet mbi sulmin, kanë shkaktuar zemërim tek prindërit dhe në përgjithësi tek komuniteti në Uvalde.

Ata e shprehën zemërimin e tyre në një mbledhje të Këshillit Bashkiak në Uvalde, pak orë pas publikimit të pamjeve.

Disa nga pjesëmarrësit kërkuan llogaridhënie për policinë dhe më shumë informacione në hetimin që është karakterizuar me deklarata të paqarta.

“A i sheh dikush ata duke bërë punë të mirë? A është e mjaftueshme vetëm përpjekja për t’u futur atje?A ishte e mjaftueshme për njerëzit që po vriteshin? Kjo nuk ishte e mjaftueshme”, thotë për një televizion në San Antonio Adam Martinez, banor në Uvalde.

“E kam parë në lajme. Të gjithë këta oficerë kishin armët dhe pajisjet e duhura mbrojtëse, ndërsa qëndronin, thjesht qëndronin atje”, flet me zemërim pastori Daniel Myers.

Anëtari i Këshillit Bashkiak në Uvalde, Ernest King kritikoi gazetën që publikoi pamjet.

“E kanë bërë për vlerësime dhe për para. Kjo është arsyeja e vetme që e publikuan”, tha ai.

Por komuniteti në Uvalde nuk pajtohet.

“Njerëzit duan t’i shohin pamjet. Prindërit duan t’i shohin ato. Që të sigurohemi se do t’i mbajmë të gjithë përgjegjës”, thotë Adam Martinez.

Departamenti i Sigurisë Publike në Teksas publikoi një raport në fillim të këtij muaji, ku thotë se një oficer policie në Uvalde humbi mundësinë për ta qëlluar sulmuesin Ramos para se të futej në shkollë, sepse po priste leje nga eprorët e tij.

Një komision hetues i udhëhequr nga ligjvënësit e Teksasit njoftoi më herët planet për të shfaqur pamjet për herë të parë të dielën, krahas bërjes publike të gjetjeve të tyre pas disa javë hetimesh dhe mbledhjes së dëshmive me dyer të mbyllura nga më shumë se 40 dëshmitarë.

Biden: Gjykata Supreme e SHBA-së ‘jashtë kontrollit’, pas vendimit për abortin

RFE/RL

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden tha se vendimi i Gjykatës Supreme që anulon të drejtën për abort ishte një demonstrim i “fuqisë së papërpunuar politike” dhe nënshkroi një urdhër ekzekutiv të premten, më 8 korrik, që do të ndihmojë për mbrojtjen e qasjes për ndërprerjen e shtatzënisë.

Biden, demokrat, ka qenë nën presion nga partia e tij për të ndërmarrë veprime pas vendimit të Gjykatës Supreme muajin e kaluar për të rrëzuar vendimin gjyqësor “Roe kundër Wade”, i cili përmbysi 50 vjet të mbrojtjes së të drejtave riprodhuese të grave.

Kompetencat e presidentit janë të kufizuara, sepse shtetet amerikane mund të miratojnë ligje që kufizojnë abortin dhe qasjen në barëra, kështu që ky urdhër ekzekutiv pritet të ketë ndikim të kufizuar.

“Ajo, për të cilën jemi dëshmitarë, nuk ishte një gjykim i bazuar në Kushtetutë, por një demonstrim i fuqisë së papërpunuar politike”, u tha Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë pasi citoi në masë të madhe mendime të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, të cilët morën vendimin e tyre.

“Nuk mund të lejojmë Gjykata Supreme që është jashtë kontrollit, e cila punon në bashkëpunim me elementë ekstremistë të Partisë Republikane, të na heqë liritë dhe autonominë tonë personale”, tha ai.

Shtëpia e Bardhë nuk e përfaqëson publikisht idenë e reformimit të vetë gjykatës ose zgjerimit të panelit prej nëntë anëtarësh, e cila është propozuar nga përfaqësuesja e grupit progresiv të Dhomës së Përfaqësuesve, Pramila Jayapal.

Në vend të kësaj, Biden vuri në dukje se votuesit mund të siguronin të drejtat e abortit duke zgjedhur më shumë senatorë pro abortit dhe vuri në dukje se opinioni i shumicës së Gjykatës Supreme ka të bëj me “pushtetin politik të grave”.

“Mendoj se gjykata ose në atë rast republikanët… nuk e kanë idenë për fuqinë e grve amerikane”, tha ai, duke shtuar se beson që gratë do të lajmërohen në numër rekord në zgjedhjet e nëntorit, në mënyrë që t’i rikthejnë të drejtat e tyre.

Biden citoi raportet e fundit se një vajzë 10-vjeçare në Ohajo u detyrua të udhëtonte në Indiana për të kryer një abort pasi u përdhunua.

“Paramendojeni që jeni vajzë. Vetëm paramendojeni se jeni vajzë 10 vjeçe. A beson dikush në këtë?”, tha ai.

Në qershor, Biden dënoi vendimin e gjykatës dhe sugjeroi që senatorët amerikanë të heqin bllokimin legjislativ, në mënyrë që përkohësisht të hiqet ‘filibuster’ në Senat, për të rivendosur të drejtat për abortin.

Megjithatë, ai sugjerim u refuzua nga ndihmësit e senatorëve kryesorë demokratë Kirsten Sinema dhe Joe Manchin.

Në fillim të qershorit, burimet i thanë Reuters se Shtëpia e Bardhë nuk kishte gjasa të ndërmerrte hapa të guximshëm në kuptimin e qasjes ndaj abortit që kongresistët demokratë kanë kërkuar, siç është reforma gjyqësore ose ofrimi i shërbimeve riprodhuese në shtete.

Të premten, Biden udhëzoi Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore që të ndërmarrë veprime për të mbrojtur dhe zgjeruar qasjen ndaj “abortit me ilaçe”, të miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, tha Shtëpia e Bardhë.

Ekspertët thonë se pilula që përdoret për të ndërprerë shtatzëninë e hershme nuk ka gjasa që së shpejti të jetë e qasshme pa recetë. Urdhri presidencial nuk do të ndikojë në shtetet që tashmë e kufizojnë përdorimin e këtyre barnave.

Biden udhëzoi gjithashtu resorin dikasterial që t’u sigurojë grave qasje në kujdesin mjekësor urgjent, shërbimet e planifikimit familjar dhe kontracepsionin, duke përfshirë pajisjet intrauterine (IUD).

Në urdhrin ekzekutiv, Biden udhëzoi gjithashtu prokurorin e tij shtetëror dhe avokatin e Shtëpisë së Bardhë që të mblidhnin avokatë pro bono dhe organizata të tjera për të ofruar këshilla ligjore për pacientët që kërkojnë abortin, si dhe për ata që ofrojnë abortin.

“Kjo mund të përfshijë mbrojtjen e të drejtës për të udhëtuar jashtë shtetit për të kërkuar kujdes mjekësor”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Vendimi i Gjykatës Supreme ua ktheu shteteve federale mundësinë për të ndaluar abortin. Për këtë shkak, gratë me shtatzëni të padëshiruara përballen me zgjedhjen për të udhëtuar në një vend tjetër ku procedura është ende e ligjshme dhe krijon mundësitë për të blerë pilula aborti në internet ose për të kryer një abort të paligjshëm potencialisht të rrezikshëm.

Kjo çështje mund të nxisë mbështetësit demokratë që të dalin pasivisht në zgjedhjet e nëntorit, në mes të mandatit, kur republikanët kanë një shans për të marrë kontrollin e Kongresit.

Demokratët mbajnë një shumicë të dobët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe kontrollojnë Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë, falë votës së nënpresidentes Kamala Harris.

Urdhri ekzekutiv i Bidenit synon gjithashtu të mbrojë privatësinë e pacientit dhe të sigurojë sigurinë e klinikave mobile të abortit në kufijtë shtetërorë, si dhe të urdhërojë krijimin e një task force për të koordinuar përgjigjen e administratës ndaj kujdesit shëndetësor riprodhues, tha Shtëpia e Bardhë.

Vendimi i Gjykatës Supreme pritet të ketë një ndikim joproporcional mbi gratë afrikano-amerikane dhe gratë e pakicave të tjera, të cilat tradicionalisht përballen me kosto të mëdha dhe pengesa logjistike në marrjen e kujdesit shëndetësor riprodhues, thonë ekspertët.

Pse Rusia duhet të humbasë në Ukrainë Nga Janusz Bugajski

NATO i dërgon një paralajmërim për hakmarrje bërthamore Rusisë dhe Kinës

Parimi themelues i NATO-s ishte të parandalonte çdo fuqi që të pushtonte shtetet sovrane dhe të dominonte Evropën. Megjithëse NATO nuk ishte e mandatuar për të mbrojtur joanëtarët, lufta pushtuese e Rusisë në Ukrainë e ka ekspozuar Moskën si një fuqi ekspansioniste që duhet të mposhtet nëse një Evropë e lirë dëshiron të mbijetojë.

Katër muaj pas luftës, liderët perëndimorë janë ende të paaftë të artikulojnë një mesazh bindës se pse humbja e Rusisë është kritike për të gjitha vendet e NATO-s. Ndërsa lufta fillon në verë, mungesa e shpjegimeve bindëse do të inkurajojë disa politikanë të vënë në dyshim arsyetimin për të ndihmuar Ukrainën dhe kështu të lejojë dezinformimin e Rusisë të depërtojë në shoqëritë perëndimore. Por ka tre arsye thelbësore që Rusia duhet ta humbasë këtë luftë: liria, pavarësia dhe siguria globale. Çdo marrëveshje paqeje dhe kompromis në të cilin Ukraina dorëzon pjesë të sovranitetit ose territorit të saj do të jetë një humbje për Evropën dhe Amerikën.

Së pari, si një fuqi agresive që përhap sistemin e saj autokratik në vende të tjera, Rusia paraqet kërcënimin më të drejtpërdrejtë ndaj lirive individuale. Deklaratat konfuze nga zyrtarët amerikanë për mbrojtjen e “rendit liberal global” minojnë konsensusin politik shumë të nevojshëm, pasi në SHBA, “liberal” dhe “rend” interpretohen gjerësisht si pozicione partiake. Theksi duhet të jetë tek garantimi i NATO-s për liritë individuale dhe opsionet politike demokratike, të cilat Rusia i shkel sistematikisht. Me pak fjalë, një humbje e Ukrainës do të përbënte një humbje për parimet bazë të lirisë dhe do të dëmtonte seriozisht ndikimin global të Amerikës.

Së dyti, Rusia perandorake kërcënon pavarësinë kombëtare të të gjithë fqinjëve. Ajo nuk respekton kufijtë ndërkombëtarë, hedh poshtë traktatet dhe kërkon të kufizojë sovranitetin e shteteve të afërta. Amerika është themeluar jo vetëm mbi ndjekjen e lirisë individuale, por edhe mbi parimin e pavarësisë kombëtare që kremtohet çdo katër korrik. Mohimi i këtij parimi ndaj çdo aleati dhe partneri amerikan, përfshirë Ukrainën, do të gërryejë vlerat thelbësore të botës perëndimore.

Së treti, triumfi i Rusisë në Ukrainë do të rrezikojë sigurinë globale. Kremlini do të arrinte në përfundimin se agresioni është i dobishëm, se Perëndimi është i dobët dhe i ndarë dhe se Amerikës i mungon qëndrueshmëria. Nëse hiqen sanksionet ndërkombëtare, një Moskë fitimtare do të riarmatoset dhe më pas do të nisë sulme të reja ndaj vendeve që mbulon. Kjo do të ishte edhe më e kushtueshme financiarisht për Uashingtonin dhe mund ta afronte Rusinë drejt një konflikti të drejtpërdrejtë me NATO-n. Me pak fjalë, një fitore e Ukrainës mund të parandalojë një luftë të drejtpërdrejtë midis SHBA-së dhe Rusisë.

Fitorja e Rusisë mund të bindë gjithashtu Kinën se një sulm ndaj Tajvanit do të tolerohej, pasi Uashingtoni është i dëshpëruar për të shmangur një luftë më të madhe dhe se kërcënimet bërthamore mund t’i shtyjnë liderët perëndimorë të nënshtrohen. Koreja e Veriut dhe Irani do ta shohin blerjen e armëve bërthamore si thelbësore për të shantazhuar qeveritë perëndimore. Rritja e paqëndrueshmërisë ndërkombëtare do të ketë gjithashtu një ndikim shumë më të dëmshëm në ekonominë dhe standardet e jetesës së SHBA-së sesa po shohim aktualisht.

SHBA nuk duhet të lëkundet në ofrimin e ndihmës thelbësore ushtarake për Ukrainën, ndërkohë që forcon aftësitë e NATO-s. Një konsensus dypartiak në Kongres njeh rreziqet për sigurinë ndërkombëtare nëse Rusia fiton luftën. Projekt-ligjet e politikës së mbrojtjes të vitit 2023 përforcojnë angazhimet e Shtëpisë së Bardhë për të rritur praninë ushtarake të SHBA-së në Poloni dhe shtete të tjera të NATO-s. Megjithatë, pa një mesazh të qartë dhe të qëndrueshëm nga Shtëpia e Bardhë që shpjegon se çfarë do të thotë lufta aktuale për Amerikën dhe çdo qytetar amerikan, ekziston rreziku që mbështetja për Ukrainën të gërryhet. Kjo do të inkurajojë ofensivën antiperëndimore të Kremlinit./Source Twitter and www.washingtonexaminer.com/Voal.ch

Medalje Nderi për katër ish-ushtarakë të Luftës së Vietnamit

Presidenti Biden gjatë ceremonisë së dhënies së Medaljeve të Nderit në Uashington

VOA/Carla Babb

Presidenti Joe Biden u dha Medaljen e Nderit, vlerësimin më të lartë të Shteteve të Bashkuara për trimëri, katër ish-ushtarakëve amerikanë për veprimet e tyre gjatë Luftës së Vietnamit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, në Pentagon Carla Babb, rrëfen më shumë rreth heroizmit të tyre.

Presidenti Joe Biden u dha Medaljen e Nderit tre ish-ushtarakëve amerikanë: Dwight Birdwell, Major John Duffy, dhe Dennis Fujii.

Ndërsa John Kaneshiro pranoi medaljen në emër të babait të tij, Rreshterit Edward Kaneshiro, i cili humbi jetën në luftime.

“Është mahnitëse të dëgjosh se çfarë ka bërë secili prej tyre. Bënë shumë më tepër nga sa kërkonte detyra. Është një frazë e përdorur shpesh, por që merr kuptim kur shikon këta burra”, tha Presidenti Biden.

Rreshteri Kaneshiro zmbrapsi tre grupe sulmuesish nga Vietnami i Veriut gjatë një gracke në dhjetor të vitit 1966, duke i mundësuar njësisë së tij që të tërhiqej. Ai u vra gjatë luftimeve disa muaj më vonë.

Dwight Birdwell është i pari nga banorët indianë të Amerikës, që nderohet për veprimet gjatë luftës në Vietnam.

Kur armiqtë sulmuan bazën ushtarake pranë Saigonit, në janar 1968, ai shpëtoi komandantin e njësisë së tij të tankeve dhe megjithëse i plagosur në fytyrë dhe kraharor, qëndroi për të ndihmuar në evakuimin e ushtarëve të tjerë të plagosur.

“Kur e urdhëruan të hipte në helikopterin për evakuimin e të plagosurve, ai e zbatoi urdhrin, dhe në mënyrë të mahnitshme doli nga ana tjetër për të vazhduar luftën”, tha Presidenti Biden.

Majori Duffy ishte i vetmi ushtarak amerikan në zonën e dislokimit. Ai u plagos dy herë, ndërsa u bënte rezistencë forcave që i kishin rrethuar në prill 1972, dhe ndërsa iu afrohej pozicioneve të armikut në mënyrë që të përcaktonte vendndodhjen për një sulm ajror. Në vazhdim ai u plagos për herë të tretë, ndërsa mbulonte me zjarr tërheqjen e ushtarakëve aleatë të Vietnamit të Jugut dhe mbronte të plagosurit e tjerë.

“Kur më në fund helikopteri ishte gati të nisej, një nga aleatët vietnamezë u plagos në këmbë dhe u rrëzua në tokë. Majori Duffy e kapi dhe e ngjiti sërish në helikopter, duke shpëtuar kështu edhe një tjetër jetë”, tha Presidenti Biden.

Dhe kur helikopteri i evakuimit të Dennis Fujiit u rrëzua gjatë një operacioni shpëtimi në vitin 1971, për të mos rrezikuar ushtarakët e tjerë, ai refuzoi disa përpjekje shpëtimi. Për 17 orët në vazhdim, ai u shërbeu të plagosurve, ndërsa komunikonte me forcat mbështetëse ajrore.

“Do të nderojmë përgjithnjë përkushtimin tuaj ndaj njësisë, aleatëve dhe vendit”, tha Presidenti Biden, duke nderuar këto akte trimërie të bëra shumë kohë më parë, por që nuk janë harruar.

“Bishat” e ajrit- SHBA do shpenzojë 27 milionë dollarë për balonat, të vetmet që mund të ndalin raketat hipersonike të Kinës dhe Rusisë

Arma më e re amerikane kundër raketave hipersonike të Kinës dhe Rusisë do të jetë… ajri i nxehtë, ose më sakte balonat që vihen në lëvizje me të. Siç raporton gazeta Politico, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes po mendon të transferojë projektet e balonave nga shërbimet shkencore në ato ushtarake me objektiv kryesor vëzhgimin në lartësi të mëdha. Në muajt e fundit, si Pekini ashtu edhe Moska kanë testuar armë hipersonike me shqetësim në rritje nga administrata amerikane.

Për këtë arsye SHBA-të mendojnë të fusin në lojë balonat. Përparësitë e balonave janë se këto pajisje mund të fluturojnë midis 18 dhe 27 kilometra në lartësi dhe do t’i shtoheshin menjëherë rrjetit tashmë të gjerë të mbikëqyrjes së mbrojtjes amerikane dhe mund të përdoren për të zbuluar raketat hipersonike

Për vite me radhë, Shtetet e Bashkuara kanë kryer teste me balona për të mbledhur informacion, për të ofruar mbështetje për trupat tokësore dhe për të ndrequr problemet me satelitët.

“Jo vetëm kaq, pasi këto platforma në lartësi të larta ose shumë të larta, të cilat janë të vështira për t’u zbuluar, “kanë shumë përparësi për kapacitetin e tyre të stacionimit, manovrimin dhe gjithashtu fleksibilitetin për ngarkesa të shumta”, shpjegon Tom Karako, studiues për Programin Ndërkombëtar të Sigurisë dhe drejtor i projektit të mbrojtjes raketore në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Instituti me bazë në Uashington merret me analiza politike, ekonomike dhe ato të sigurisë ndërkombëtare.

Sipas Politico, Pentagoni ka shpenzuar rreth 3.8 milionë dollarë për projekte të balonave me fluturime të larta gjatë dy viteve të fundit. Jo vetëm kaq, por ata planifikojnë të shpenzojnë 27.1 milionë dollarë shtesë për të vazhduar punën në eksperimente të reja, sipas dokumenteve buxhetore.

Ndërkohë, përdorimi i armëve hipersonike në kontekste lufte është më i rëndësishëm se kurrë. Gjatë pushtimit të Ukrainës, Moska përdori dy raketat e reja “Kinzhal” dhe “Zircon”. E para i përker aviacionit dhe e dyta Marinës ruse. Të pajisura me saktësi, shpejtësi dhe heshtje shumë të lartë, këto raketa të gjeneratës së fundit janë në gjendje të godasin një objektiv pa u kapur dhe neutralizuar nga mbrojtja kundërajrore dhe raketore e armikut. Por SHBA-të gjykojnë se balonat e reja mund ta bëjnë këtë. bw

Kandidatja për në Kongres: SHBA nuk bëri mjaftueshëm për të parandaluar luftën në Ukrainë

VOA/Yurii Mamon

Ndër kandidatët për në Kongresin amerikan në zgjedhjet e nëntorit do të jetë edhe Karina Lipsman, e cila ka lindur në qytetin e Odesës në Ukrainë dhe ka ardhur në Shtetet e Bashkuara në moshë të mitur. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Yurii Mamon, kandidatja republikane kritikon administratën amerikane se nuk bëri mjaftueshëm për të parandaluar luftën në Ukrainë.

Kandidatja për në Kongres, Karina Lipsman, ka filluar fushatën e saj elektorale. Ajo çka e veçon atë është prejardhja e saj.

“Erdha në Shtetet e Bashkuara në moshën 8 vjeç nga Odesa, e Ukrainës. Erdha si refugjate, vetëm me nënën dhe gjyshërit”, thotë zonja Lipsman.

Ata erdhën në Shtetet e Bashkuara në vitin 1993.

Karina filloi shkollën dhe nëna e saj punoi rrobaqepëse për të mbajtur familjen. Karina i është mirënjohëse nënës së saj që dëshironte më të mirën për vajzën.

“Kur mbusha 18 vjeç, aplikova për t’u bërë shtetase amerikane. Kjo ishte një zgjedhje që unë bëra, pasi doja të isha pjesë e Amerikës”, thotë zonja Lipsman.

Ajo ndoqi studimet pasuniversitare në Universitetin Johns Hopkins dhe ndërtoi karrierën e saj në sektorin e mbrojtjes. Tashmë, ajo shpreson të hedhë hapin e ri, drejt Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

Zonja Lipsman konkuron në zonën elektorale numër 8 në Virxhinia.

Asnjë kandidat republikan nuk është zgjedhur që prej 30 vitesh në këtë distrikt rural jashtë kryeqytetit Uashington. Por, ajo dhe drejtuesi i fushatës, Brian Johnson, kanë hartuar një plan, bazuar tek ndryshimet demografike në këtë distrikt. Gati gjysma e banorëve janë emigrantë.

“Mendoj se shumë njerëz në këtë zonë që përfshihen në politikë, vijnë nga familje të pasura, me trashëgimi, familje të përfshira në politikë. Popullsia e përbërë përgjithësisht nga emigrantë, jo meshkuj të bardhë, nuk janë rritur në këto rrethana. Pra, historia e Karinës është se asaj iu desh të luftonte për gjithçka ka tani, brenda një sektori mbrojtjeje të dominuar nga meshkuj të bardhë, duke arritur të gjendet tashmë në një pozicion të lartë, të cilin po e lë për t’u angazhuar në Kongres me kohë të plotë. Mendoj se këto histori të vërteta të jetuara do të frymëzojnë shumicën e banorëve të distriktit”, thotë menaxheri i fushatës, Brian Johnson.

Zonja Lipsman nuk heziton të kritikojë Presidentin Biden për nivelin e lartë të inflacionit, rritjen e çmimeve të karburantit dhe të nivelit të krimit. Për më tepër, ajo mendon se administrata e tij nuk ka bërë aq sa duhej për të parandaluar luftën në vendin e prejardhjes së saj, Ukrainë.

Ajo fitoi me lehtësi mbështetjen e Partisë Republikane për ta kandiduar për zgjedhjet paraprake dhe mendohet se ka shanse të mira për të fituar në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

“Mora 61.5% të votave që në raundin e parë; diçka që nuk ndodh ndonjëherë. Konkurenti më i afërt mori 19%. Mbajta një fjalim me subjektin se si një emigrante nga Ukraina gjendej tashmë në podium, e zgjedhur për të kandiduar për në Kongres dhe se sa i pazakontë ishte ky moment”, thotë ajo.

Zonjës Lipsman i duhet të bëjë një fushatë të vështirë elektorale dhe është angazhuar plotësisht për të siguruar fonde. Ajo synon të mbledhë 500 mijë dollarë brenda 30 ditëve të ardhshme.

“Ne po shikojmë Rusinë të thahet para syve tanë,” thotë ish-shefi i Pentagonit

Nga Paula Hancocks e CNN në Seul, Koreja e Jugut

Ish-sekretari amerikan i mbrojtjes, James Mattis, kritikoi luftën e Rusisë në Ukrainë, duke e quajtur atë “të pamoralshme” dhe “budallaqe operative”, ndërsa foli të premten në Forumin e Seulit 2022.

“Ne kemi një thënie në Amerikë, ne themi se kombet me aleatë lulëzojnë, kombet pa aleatë thahen dhe ne po shikojmë Rusinë të thahet para syve tanë tani,” tha Mattis.

I pyetur se çfarë mësimesh ushtarake mund të merren nga lufta deri më tani, ish-marinsi amerikan tha: “Njëra është të mos keni gjeneralë të paaftë në krye të operacioneve tuaja”.

Ai gjithashtu e quajti performancën ushtarake të Rusisë “patetike” dhe kritikoi “përpjekjen imorale, taktikisht të paaftë, operative budallaqe dhe strategjikisht të pamend” të fushatës së saj në Ukrainë. .

Ish-shefi i Pentagonit Jim Mattis: Putini bie në shtrat ‘i frikësuar’

VOA

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis kritikoi të premten Presidentin rus Vladimir Putin dhe e quajti sulmin e Rusisë në Ukrainë, “marrëzi e tregues paaftësie”.

Në një fjalim në Seul, zoti Mattis e krahasoi Presidentin Putin me një lloj personazhi paranojak, që përmendet në librat e shkrimtarit rus, Fyodor Dostojevsky.

Putini është një krijesë që ka dalë nga librat e Dostojevskit. Ai bie në shtrat çdo mbrëmje i zemëruar, i frikësuar, e sheh një Rusi të rrethuar nga makthet“, tha zoti Mattis.

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes ka bërë relativisht pak komente publike, që pas dorëheqjen së tij nga detyra e shefit të Pentagonit, në vitin 2018, për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi politikën e jashtme, me ish-Presidentin Donald Trump.

Zoti Mattis nuk foli drejtpërdrejtë rreth këtyre mosmarrëveshjeve, por tha se zoti Trump zbatoi një politikë të jashtme jotradicionale e cila sfidoi marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me aleatët e saj.

Komentet e zotit Mattis u përqëndruan tek zoti Putin. Ai e portretizoi atë si një njeri të çekuilibruar e të paaftë për të marrë vendime të zgjuara, për shkak të mungesës së njerëzve që i japin këshilla të shëndosha.

I pyetur se cili është mësimi më i rëndësishëm që mund të nxirret nga lufta e Rusisë në Ukrainë, zoti Mattis u përgjigj: “Nuk duhen zgjedhur gjeneralë të paaftë në krye të operacioneve”.

Ai tha gjithashtu se sulmi i Rusisë ishte një sulm “taktikisht joprofesional dhe i pamenduar nga pikëpamja strategjike”.

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes kritikoi gjithashtu forcimin e marrëdhënieve të Kinës me Rusinë, si dhe mungesën e gatishmërisë së Pekinit për të kundështuar luftën e Moskës në Ukrainë.

Një vend “nuk mund të jetë i madh, nëse mbështet sulmin kriminal të Rusisë në Ukrainë”, tha ai.

Duke iu referuar periudhës që shërbeu si shef i Pentagonit gjatë administratës së Presidentit Trump, zoti Mattis foli për një “kohë të trazuar” dhe e quajti ish-presidentin një “udhëheqës të pazakontë”, por pa e kritikuar drejtpërdrejt.

Demokracitë nganjëherë mund të jenë populiste dhe ndonjëherë thyejnë traditën“, tha ai. “Është në natyrën e demokracive ndonjëherë, që të vënë në provë idetë e gjithçka“.

Amerikanët, tha zoti Mattis, duhet të përgjigjen duke ruajtur besimin tek “institucionet” si dhe “tek ata me të cilët nuk pajtohen”.

Zoti Mattis e mbajti fjalimin në Korenë e Jugut, një vend aleat i SHBA-ve, i cili ndjeu në mënyrë dramatike ndikimet e politikës së jashtme jotradicionale të zotit Trump.

I pyetur se çfarë mendonte mbi takimet e zotit Trump me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, zoti Mattis tha se megjithëse ai nuk ka qenë kurrë optimist mbi rezultatin e bisedimeve, përpjekja diplomatike sipas tij, ishte “gjëja e duhur për t’u bërë”.

Zoti Mattis vlerësoi gjithashtu qasjen, që po zbaton presidenti i ri i Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol, i cili synon që vendi i tij të luajë një rol më të madh në arenën ndërkombëtare.

Zoti Yoon, me pikëpamje konservatore, ka përqafuar në mënyrë të qartë politikat e Shteteve të Bashkuara. Ai mori pjesë në takimin e NATO-s që u mbajt në Madrid, duke shënuar herën e parë, që një udhëheqës i Koresë së Jugut merr pjesë në një takim të tillë.

Zoti Mattis vlerësoi praninë e zotit Yoon në takim, duke thënë se kjo gjë është në interesin më të mirë të Perëndimit.

Por ai kritikoi ato zëra në Seul, të cilët kohët e fundit kanë bërë thirrje që Koreja e Jugut të ketë armët e veta bërthamore.

Nuk keni nevojë për armë bërthamore në gadishull për të siguruar parandalimin e tyre në shkallë të gjerë, dhe për sa kohë që ekziston besimi mes Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara“, tha zoti Mattis.

Anketat e opinionit publik tregojnë vazhdimisht se shumica e koreano-jugorëve mbështesin idenë e pajisjes së vendit me armë bërthamore, në kushtet kur Koreja e Veriut vazhdon të rrisë arsenalin e vet bërthamor.

Gjatë periudhës së kandidimit të tij për president, zoti Yoon tha se do t’i kërkonte Shteteve të Bashkuara që të arrinin një marrëveshje për ndarjen e armëve bërthamore, ose ridislokimin e armëve taktike bërthamore, që Uashingtoni tërhoqi nga Koreja e Jugut në fillim të viteve 1990. Një gjë e tillë u refuzuar menjëherë nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut duhet të vazhdojnë të forcojnë besimin mes tyre duke treguar vendosmëri kundër qasjes së Phenianit për rritjen e kapaciteteve të tij bërthamore tha zoti Mattis.

Duhet të bëni çdo gjë që ju vetë të mos pajiseni me këto armë, pasi ato janë të tmerrshme”, tha ai.

Zbulimi amerikan: Lufta Rusi-Ukrainë ka të ngjarë të vazhdojë për një kohë të gjatë

Ken Bredemeier

Agjencitë amerikane të zbulimit vlerësojnë se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës ka të ngjarë të vazhdojë për një periudhë të gjatë, por se forcat ruse nuk ka të ngjarë që në një afat të shkurtër të jenë në gjendje të përparojnë përtej rajonit lindor të Ukrainës, tha të mërkurën zyrtarja më e lartë e shërbimeve amerikane të zbulimit.

Drejtoresha e Zbulimit Kombëtar, Avril Haines tha në një konferencë mbi kontrollet e eksporteve në Uashington se Rusia kontrollon rreth 20% të Ukrainës përgjatë një linje konflikti 1,100 kilometra të gjatë.

Por ajo tha se rezistenca e ukrainasve në rajonet e pushtuara nga Rusia po rritet, duke e bërë më të vështirë për Rusinë të përparojë përtej rajonit të Donbasit në lindje, ku ka pushtuar pothuajse të gjithë provincën e Luhanskut, por ka bërë përparim më të vogël në provincën fqinje të Donetskut. Një zgjidhje paqësore nuk ka të ngjarë të arrihet, tha ajo.

Zonja Haines tha se ka më shumë gjasa që konflikti, tani në muajin e tij të pestë, të “mbetet një luftë e rëndë në të cilën rusët do të bëjnë përparime të ngadalshme, por jo të mëdha”.

“Me pak fjalë, gjendja mbetet mjaft e zymtë,” tha zonja Haines.

Presidenti rus Vladimir Putin ende synon të marrë pjesën më të madhe të Ukrainës, tha ajo, megjithëse më herët gjatë luftës, trupat ruse nuk arritën të rrëzonin qeverinë e Presidentit Volodymyr Zelenskyy ose të pushtonin kryeqytetin ukrainas, Kievin.

Të mërkurën, Rusia nisi sulme të reja. Kryebashkiaku i Mykolaivit, një qytet afër Detit të Zi, tha se qyteti u godit nga tetë raketa ruse që shkatërruan një ndërtesë apartamentesh, duke vrarë katër persona dhe duke plagosur pesë të tjerë.

“Ka luftime kudo”, tha guvernatori i Luhanskut, Serhiy Haidai. Rusët po pushtojnë qytetin e Lisiçanskit ashtu siç bënë më parë me Sievierodonetskun, tha ai.

Në një fjalim virtual, presidenti Zelenskyy të martën e quajti Rusinë një “shtet terrorist” dhe i kërkoi OKB-së të dërgojë një komision për të hetuar një sulm vdekjeprurës me raketa të hënën në një qendër tregtare në qytetin e Kremençukut, në të cilin u vranë të paktën 18 civilë.

Zoti Zelenskyy tha se në çdo pjesë tjetër të botës, çdo grup që do vriste civilë siç po bën Rusia në Ukrainë do të konsiderohej organizatë terroriste.

“Prandaj, ajo që dënohet në nivelin e kriminelëve dhe organizatave kriminale nuk duhet të kalojë e pandëshkuar në nivelin e shtetit, i cili është bërë terrorist”, tha ai për Kremlinin.

Zëvendës ambasadori Dmitry Polyanskiy tha se fjalimi i Presidentit Zelenskyy kishte për qëllim të fitonte simpatinë dhe më shumë armë nga të pjesëmarrësit në samitin e NATO-s që po mbahet në Madrid.

Zoti Polyanskiy hodhi poshtë gjithashtu akuzat se qendra tregtare në Kremençuk ishte goditur, duke thënë se nuk ishte afër objektivit të Rusisë.

“Në realitet, nuk kishte asnjë sulm në qendrën tregtare”, deklaroi zoti Polyanskiy. “Forcat e armatosura ruse përdorën armë precize për të goditur hangarët me armë dhe municione perëndimore të marra nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane në zonën e fabrikës së makinerive rrugore në Kremençuk”, shtoi ai.

Biden: Shtetet e Bashkuara do të rrisin praninë ushtarake në Evropë

VOA

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do të shtojnë forcat dhe pajisjet ushtarake në të gjithë Evropën, në përgjigje të kërcënimeve nga Rusia.

Duke folur gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ai nënvizoi përkushtimin e aleancës për të mbrojtur “çdo pëllëmbë të territorit të saj”.

“Shtetet e Bashkuara do të forcojnë praninë në Evropë si përgjigje ndaj ndryshimit të mjedisit të sigurisë dhe për të forcuar sigurinë tonë kolektive. Më herët gjatë viti ne bëmë gati 20 mijë trupa shtesë për Evropën për të përforcuar aleancën si përgjigje ndaj veprimit agresiv të Rusisë, duke e çuar në 100 mijë numrin e forcave tona në Evropë. Do të vazhdojmë ta përshtasim praninë tonë përballë kërcënimeve në këshillim të ngushtë me aleatët tanë”.

Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të shtojnë praninë e luftanijeve në Spanjë, do të vendosin një bazë të përhershme, trupa shtesë në Rumani, në Baltik, dy skuadrilje shtesë të avionëve F-35 në Britaninë e Madhe dhe sisteme të mbrojtjes ajrore në Gjermani dhe në Itali.

“Do të miratojmë konceptin e ri strategjik të NATO-s dhe të ritheksojmë unitetin dhe përkushtimin e aleancës për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, tha presidenti Biden.

Ai theksoi se në dritën e agresionit rus në Ukrainë, u dëshmua se “NATO-ja është më nevojshme se sa kurrë dhe është më e rëndësishme se kurrë”.

Udhëheqësit e NATO-s janë mbledhur në Madrid, në takimin e nivelit të lartë që do të përfshijë diskutimin e mbështetjes për Ukrainën dhe mënyrën se si aleanca do të përshtatet për të përballuar sfidat aktuale dhe ato të së ardhmes.

Dhjetëra viktima dhe të plagosur në një kamion të braktisur në Teksas

Pamje nga vendi ku është gjetur kamioni me viktima.

RFE/RL

Të paktën 46 persona, të cilët besohet se kanë qenë emigrantë, janë gjetur të vdekur në një kamion të braktisur në një paralagje të San Antonios në Teksas.

Një zjarrfikës ka thënë se 16 persona, përfshirë katër fëmijë, janë dërguar në spital.

Të mbijetuarit kanë qenë “të nxehtë në prekje” dhe kanë vuajtur nga nxehtësia e madhe.

San Antonio, qytet rreth 250 kilometra nga kufiri mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, është rrugë kryesore transiti për kontrabanduesit e njerëzve.

Trafikuesit zakonisht përdorin kamionë për të transportuar migrantët pa dokumente, pasi të kenë kaluar në SHBA.

“Ata kanë pasur familjet me vete.. me siguri kanë qenë në kërkim të një jete më të mirë”, ka thënë kryetari i San Antonios, Ron Nirenberg.

“Është ngjarje e tmerrshme, tragjedi njerëzore”.

Autoritetet kanë arritur në vendin e ngjarjes pas raportimeve për një trup të vdekur, ka thënë shefi i zjarrfikësve në San Antonio, Charles Hood.

“Ne nuk është dashur të hapim një kamion dhe të shohim gjithë ata trupa aty. Asnjëri prej nesh nuk ka ardhur në punë duke imagjinuar diçka të tillë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, makina që është braktisur nga shoferi, nuk ka pasur kondicioner dhe as ujë të pijshëm brenda.

Ministri i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard, ka thënë se dy shtetas të Guatemalas kanë qenë në mesin e personave të dërguar në spital.

Shtetësia e viktimave tjera nuk dihet ende.

Tre njerëz janë në mbajtje dhe hetimet janë duke u kryer nga agjentët federalë.

Sekretari amerikan për Siguri Kombëtare, Alejandro Mayorkas, departamenti i të cilit ka nisur hetimet, ka thënë se “trafikuesit e njerëzve janë individë pa shpirt, që nuk kanë parasysh njerëzit e cenueshëm, të cilët i shfrytëzojnë për të rrezikuar rendin dhe për të përfituar”.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbot, ka fajësuar presidentin amerikan Joe Biden për vdekjet, duke e përshkruar situatën si “rezultat të politikave të tij vdekjeprurëse për kufij të hapur”.

Beto O’Rourke, kandidati demokrat që garon kundër Abbotit, ka thënë se raportimet janë të rënda dhe ka bërë thirrje për “shkatërrim të rrjeteve të kontrabandës dhe zëvendësim të tyre me rrugë të gjera për migrim ligjor”.

Imigrimi është çështje sfiduese në politikën e Shteteve të Bashkuara.

Në muaj maj, autoritetet amerikane kanë regjistruar rekord të personave pa dokumente, të cilët janë arrestuar pas kalimit të kufirit nga Meksika.

Shumë prej tyre kanë qenë duke udhëtuar në rrugë jashtëzakonisht të rrezikshme.

Për t’i ikur varfërisë dhe dhunës në Amerikën Qendrore, shumë migrantë pa dokumente përfundojnë duke paguar shuma të mëdha parash për kontrabanduesit, ashtu që t’i dërgojnë në kufirin amerikan.

Në vitet e fundit është raportuar për disa raste kur emigrantët kanë vdekur në rrugë e sipër, mirëpo asnjë nuk i ngjan këtij të fundit.

Klima në San Antonio është e ngrohtë në muajt e verës.

Në ditën e incidentit, ky qytet ka regjistruar temperaturë prej 39.4 gradësh Celsius.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Janusz Bugajski: Moska vret civilë në mes të Evropës- vrasjet masive nga Beogradi në BH&Kosovë sollën ndërhyrjen e NATO-s

Pas sulmit me raketa të Moskës në qendrën tregëtare në Kremenchuk të mbushur me plot civilë dhe një tweet-i nga Kyiv Independent që përcjell deklaratën e presidentit Zelensky ka reaguar me një tweet Janusz Bugajski

“Moska vret civilë në mes të Evropës. Në vitet 1990, vrasjet masive të civilëve nga Beogradi në BH dhe Kosovë çuan në ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të NATO-s.”

 

 

“Kyiv Independent @KyivIndependent · 3 orë ⚡️ Zelensky: “Rusia godet qendrën tregtare në Kremenchuk, ndërsa mbi mijëra njerëz brenda.” “Mall është në zjarr, zjarrfikësit po përpiqen të shuajnë zjarrin, numri i viktimave është i pamundur të imagjinohet”, tha Presidenti Volodymyr Zelensky. Volodymyr Zelensky/Telegram”

Biden nënshkruan ligjin për kontroll të armëve

RFE/RL

Presidenti amerikan Joe Biden, e ka shndërruar në ligj një dokument dypartiak për armët, çka përbën reformën më të madhe federale në tri dekadat e fundit, disa ditë pasi Gjykata Supreme ka zgjeruar të drejtat për armët.

“Kjo është ditë madhështore”, ka thënë Biden në Shtëpinë e Bardhë.

“Me dëshirën e Zotit, ky ligj do të ruajë shumë jetë”.

Gjykata Supreme ka deklaruar për herë të parë të enjten se Kushtetuta amerikane mbron të drejtën e një individi për të mbajtur armë në publik për vetëmbrojtje.

Vetëm në vitin 2020 kanë vdekur mbi 45,000 amerikanë nga armët, qofshin duke u vrarë apo vetëvrarë. Ky ka qenë viti me shifrën më të lartë të viktimave të tilla, i regjistruar në historinë amerikane.

Kontrolli i armëve është kthyer tash e një kohë në çështje që krijon ndasi në Shtetet e Bashkuara, pasi shumë tentime për të kontrolluar shitjen e tyre, kanë dështuar njëra pas tjetrës.

Legjislacioni i ri përfshin provizione për t’iu ndihmuar shteteve që të mbajnë armët larg duarve të atyre që konsiderohen të rrezikshëm si dhe të bllokojë shitjen e armëve për ata që janë dënuar për abuzime me partnerë të pamartuar.

Legjislacioni nuk ndalon shitjet e pushkëve apo karikatorëve me kapacitet të lartë.

Për herë të parë, me ligj parashihet që të bëhen kontrolle për të kaluarën e një të mituri para se të blihet një armë, si dhe ky dokument shënjestron blerësit që kanë qenë të dënuar në të kaluarën për dhunë familjare.

Biden ka përsëritur kritikat për vendimin e marrë nga Gjykata Supreme të premten, e cila ka eliminuar të drejtën kushtetuese për abort.

Ai ka thënë se administrata e tij do të fokusohet te vendet që do të zbatojnë këtë vendim dhe të sigurohet se ato nuk do t’i shkelin ligjet tjera.

Si ishte marrë vendimi për abortin?

Vendimi i vitit 1973 Roe v Wade ishte miratuar nga Gjykata Supreme me shtatë vota për dhe dy kundër.

Përmes këtij vendimi grave u është mbrojtur e drejta për t’iu dhënë fund shtatzënive.

Vendimi u ka dhënë grave amerikane të drejtë absolute për abort në tre muajt e parë të shtatzënisë, mirëpo e ka lejuar atë procedurë në disa raste edhe në tremujorin e dytë.

Përmbysja e këtij vendimi ka rezultuar me protesta masive në shumë shtete amerikane.

SHBA thërret në takim ambasadorët e vet nga Ballkani Perëndimor

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka publikuar një fotografi në twitter. Përveç tij, aty shihen ambasadorët amerikanë që shërbejnë në vendet e Ballkanit Perëndimor, e ku janë takuar në Konferencën e shefave të misioneve të këtij viti në Washington.

Hovenier shkroi se në këtë takim kanë pasur diskutime mbi prioritetet e përbashkëta dhe mundësitë për bashkëpunim rajonal me udhëheqësinë e Zyrës së Departamentit të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, njofton RTK.

Në këtë mënyrë, Ballkani Perëndimor, duket se është tashmë në vëmendjen më të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Kështu, të gjithë ambasadorët amerikanë në Ballkanin Perëndimor, të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kroacisë, do të takohen me liderët e Departamentit të Shtetit këtë javë, për të diskutuar prioritetet e SHBA në Ballkanin Perëndimor.

Në fokus të bisedimeve do të jenë bashkëpunimi rajonal dhe integrimi, që është më i rëndësishëm se kurrë. Këtë e deklaroi ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, përmes një postimi në Twitter. Në fotografinë që ka shpërndarë, Kim shfaqet e buzëqeshur pranë homologëve të saj, ndërsa pranë tyre, në mes, është edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Përveç ambasadores anerikane Kim që shërben në Shqipëri e ambasadorit Hovenier që shërben në Kosovë, të rreshtuar janë edhe ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, ambasadori amerikan në Bosnje-Hercegovinë, Michael Murphy, dhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.

Vendimi për abortin në SHBA, mijëra gra në protestë: Na kthyet 50 vite pas!

Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Lartë të SHBA-së për ndalimin e procesit të abortit, ka ngjallur reagime të forta në të gjithë Atlantikun.

Mijëra gra kanë dalë në rrugët e Amerikës për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj këtij vendimi që sipas tyre, të kthen 50 vite pas.

Në të njëjtën kohë, qytetarë të shumtë janë mbledhur jashtë Gjykatës së Lartë të SHBA për të protestuar kundër këtij vendimi.

Kujtojmë se gjashtë nga nëntë gjyqtarët votuan pro ndalimit. Tre nga gjyqtarët e shumicës u emëruan nga Donald Trump.

“Kushtetuta nuk jep të drejtën e abortit,” vendosi Gjykata e Lartë.

syri.net

SHBA- Gjykata e Lartë i jep fund mbrojtjes kushtetuese për abortin

VOA

UASHINGTON (AP) – Gjykata e Lartë amerikane i ka dhënë fund mbrojtjes kushtetuese gati 50 vjeçare për abortin – një vendim i shumicës së saj konservatore për të përmbysur çështjen historike të gjykatës.

Vendimi i së premtes pritet të çojë në ndalimin e abortit në afërsisht gjysmën e shteteve amerikane. Vendimi, i paimagjinueshëm vetëm pak vite më parë, ishte kulmi i përpjekjeve prej disa dekadash të kundërshtarëve të abortit, i mundësuar nga një krah i guximshëm i djathtë i gjykatës që është forcuar nga tre anëtarët e saj të emëruar nga ish-presidentit Donald Trump.

Vendimi erdhi më shumë se një muaj pas rrjedhjes së informacionit për një draft-opinion nga gjyqtari Samuel Alito që tregonte se gjykata ishte e përgatitur për të ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm.

Sipas sondazheve të opinionit, vendimi e vë gjykatën në kundërshtim me shumicën e amerikanëve që favorizojnë mbrojtjen e së drejtës së abortit.

Gjykatësi Alito, në opinionin përfundimtar të lëshuar të premten, shkruante se çëshja Roe dhe Planned Parenthood kundër Kejsit, vendimi i vitit 1992 që ripohoi të drejtën e abortit, ishin të gabuara ditën që u vendosën dhe duhet të anulohen.

Autoriteti për të vendosur rregulla mbi abortin u takon degëve politike, jo gjykatave, shkroi gjykatësi Alito.

Me gjykatësin Alito u bashkuan gjyqtarët Clarence Thomas, Neil Gorsuch, Brett Kavanaugh dhe Amy Coney Barrett. Tre gjyqtarët e fundit janë të emëruar nga ish presidenti Trump. Gjykatësi Thomas votoi për herë të parë për të rrëzuar të drejtën e abortit 30 vjet më parë.

Gjyqtarët Stephen Breyer, Sonia Sotomayor dhe Elena Kagan – krahu liberal i gjykatës – ishin në kundërshtim.

Sipas statistikave të analizuara nga Associated Press, vendimi pritet të prekë në mënyrë disproporcionale gratë e pakicave që tashmë përballen me qasje të kufizuar në kujdesin shëndetësor.

Donald Trump do të rikandidojë për President të SHBA

VOAL- “Donald Trump sigurisht që do të rikandidojë veten në Shtëpinë e Bardhë, ai mund ta shpallë atë që në nëntor”. Kellyanne Conway, ish-kreu i fushatës zgjedhore fitimtare të Trump në 2016, e cila ka qenë prej kohësh këshilltarja e saj dhe zëdhënësja “de fakto” nuk ka dyshime.

Kellyanne Conway përballë Shtëpisë së Bardhë

 

E intervistuar nga RAI, Conway tha se ishte në kontakt me ish-presidentin. “Për momentin ai po punon për të mbështetur kandidatët e tij në zgjedhjet afatmesme politike, por pas kësaj periudhe tranzicioni do të kthehet personalisht në terren”, thotë ajo.

Megjithatë, ndryshe nga Trump, Conway beson se presidenti amerikan Joe Biden fitoi në të vërtetë zgjedhjet e vitit 2020. Por ajo gjithashtu beson se ka “shumë gjëra për të sqaruar” në atë votim. Dhe ajo mohon se duke vazhduar të argumentojë se ajo votë ishte e manipuluar, Trump po minon themelet e demokracisë amerikane. rsi-eb

Bridget Brink: Është interes jetik i Amerikës të ketë paqe dhe siguri në Evropë

VOA/Myroslava Gongadze

Ambasadorja amerikane në Ukrainë, Bridget Brink, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se është në interesin jetik të Shteteve të Bashkuara që të ketë paqe e siguri në Evropë, prandaj përpjekjet e saj janë përqendruar në mbështetjen e një Ukraine që do të jetë e lirë dhe e gatshme të vendosë për të ardhmen e saj.

Zonja Brink e cila u konfirmua në muajin maj në postin e ambasadores amerikane në Ukrainë tha se me të marrë detyrën vendosi pesë synime të menjëhershme.

“I pari ishte të ndihmoja Ukrainën të mbrohet. Synimi i dytë të ndihmoj në sigurimin e llogaridhënies dhe drejtësisë për krimet e luftës dhe mizoritë. I treti, të ndihmoj për të siguruar që ndihma humanitare, veçanërisht ndihma e financuar nga Shtetet e Bashkuara, të arrijë te ata që kanë nevojë, veçanërisht në zonat e konfliktit. I katërti është të mbikëqyret kjo sasi masive e ndihmës amerikane dhe së fundmi pjesa më e këndshme e punës, të bashkojmë ekipin tonë, amerikanët dhe ukrainasit që punojnë në ambasadë”.

Presidenti ukrainas Volodymir Zelenskyy, ka ritheksuar shpesh se ndihma ndërkombëtare është e domosdoshme për vendin e tij për t’u përballur me agresionin rus, duke kritikuar herë pas here aleatët perëndimorë përfshirë Shtetet e Bashkuara, për zvarritje të ndihmës ushtarake.

“Do të thosha se që nga fillimi i luftës dhe madje edhe më parë, ne kemi qenë plotësisht të përqendruar që Ukrainës t’i sigurojmë mjetet e sigurisë, armët që u duhen sa më shpejt të jetë e mundur dhe ky është në fakt përqendrimi im numër një. Unë mendoj se ka pasur disa probleme në fillim, dhe unë jam këtu vetëm për t’u siguruar që gjithçka që po bëjmë është duke mbështetur drejtpërdrejt ukrainasit në vijën e parë dhe gjithashtu, duke ndihmuar Ukrainën të përmirësojë pozicionin e saj në fushën e betejës, gjë që ne besojmë se do të ndihmojë negociatat e saj, pozicionin e saj në një kohë kur kjo të jetë e përshtatshme”.

Ambasadorja Brink tha se është tepër e rëndësishme për ekzistencën e Ukrainës, por është gjithashtu tepër e rëndësishme për sigurinë evropiane dhe për Shtetet e Bashkuara, që të mos lejohet ndryshimi me forcë i kufijve.

“Unë mendoj se ne që jemi mbështetës kaq të fortë brenda qeverisë amerikane, brenda popullsisë amerikane, e mbështesim Ukrainën sepse ne e shohim dhe e kuptojmë të ardhmen që duan ukrainasit. Dhe kjo është një e ardhme ku Ukraina është e lirë, e pavarur, e begatë, sovrane dhe duhet të vendosë për të ardhmen e saj. Për ne si amerikanë, kjo paraqet atë ne jemi. Pra, ajo që unë do të shpresoja, ajo që planifikoj të bëj dhe ajo që po bëjmë është të mbështesim Ukrainën në këtë detyrë të menjëhershme për të ngadhënjyer në përpjekjen e saj për të mbrojtur veten, që është jashtëzakonisht e rëndësishme. Unë mendoj se të gjithë do të pajtoheshin. Dhe mendoj se qeveria këtu dhe njerëzit këtu do të bien dakord që një detyrë tjetër e rëndësishme është dhe do të jetë përpjekja reformuese, e cila do t’i sigurojë Ukrainës një të ardhme për fëmijët e saj”.

Udhëheqësit perëndimor e shohin luftën e Ukrainës kundër agresionit rus si luftë për vlerat perëndimore, ndërsa vëzhguesit tërheqin vërejtjen për pasojat që mund të kishte dështimi i saj në këtë luftë.

“Ukraina nuk do të dështojë dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të duhet. Dhe siç e përmenda, kjo është padyshim shumë e rëndësishme për Ukrainën, dhe është gjithashtu shumë e rëndësishme për sigurinë evropiane. Është me të vërtetë e rëndësishme për Amerikën, sepse siç ka thënë Presidenti Joe Biden, është moralisht e papranueshme ajo që ka ndodhur nga ky sulm i paprovokuar i pajustifikuar ndaj një kombi sovran. Por, është gjithashtu në interesin jetik të Amerikës që të ketë paqe dhe siguri në Evropë”.

Ambasadorja Brink tha se agresioni rus mund të ketë pasoja që shkojnë përtej Ukrainës dhe kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara duan t’i ndihmojnë asaj të ngadhënjejë dhe njëkohësisht janë bërë pjesë e planeve për rindërtimin e saj pas luftës.

Amerikanët festuan Juneteenth, ditën që shënoi fundin e skllavërisë

VOA

Nëntëmbëdhjetë qershori përkujton fundin e skllavërisë në Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 1865 ushtarët e Unionit informuan një grup skllevërish afrikano-amerikanë në Galveston të Teksasit, se ishin tashmë të lirë, afro 2 vjet e gjysmë pas nënshkrimit nga Presidenti Abraham Lincoln të Deklaratës për Lirimin e skllevërve.

Me një vendim të Presidentit Joe Biden kjo ditë tashmë është shpallur festë kombëtare. Ajo i bashkohet 10 festave të tjera federale dhe është e para që shtohet që kur dita që përkujton lindjen e udhëheqësit për të drejtat civile në ShBA, Martin Luther King Jr., u bë festë federale në vitin 1983.

Ligji për shpalljen e kësaj date si festë mbërriti në tavolinën e Presidentit Biden një vit më parë, pas miratimit në bllok të tij në Kongres me shumicë dërrmuese, në një votim që rezultoi me 415 vota pro dhe 14 kundër.

Janusz Bugajski: Krenarë për ata që luftojnë në Ukrainë, vullnetarët serbë po i ndihmojnë rusët për një tjetër genocid!

Pas tweet-it të gazetarit të Telegrafit të Kosovës Albert Spahiu @albertspahiu ·  se” #Rusia me përfaqësuesit e saj #serbë vazhdon të përhapë❗#propaganda dhe❗#dezinformata për mercenarët nga #Ballkani Perëndimor në #Ukrainë – gënjeshtra tjetër e madhe❗#gënjeshtër: nga #Kosova 🇽🇰 u ❌ vrarë 60 ushtarë”, ka reaguar menjëherë Janusz Bugajski @JBugajski:

“Ne duhet të jemi krenarë për të gjithë ata që luftojnë në Ukrainë për lirinë tonë të përbashkët kundër kriminelëve të luftës të Moskës. Vullnetarët serbë po ndihmojnë rusët të kryejnë një tjetër gjenocid.”

 

Britania miraton ekstradimin e themeluesit të Wikileaks, Julian Assange në ShBA

Foto Amnesty International CH
Nga VOA

Londër — Qeveria britanike urdhëroi sot ekstradimin e themeluesit të kompanisë WikiLeaks, Julian Assange në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat për spiunazh, një zhvillim i rëndësishëm, por jo i fundit në betejën ligjore prej një dekade.

WikiLeaks tha se do ta kundërshtojë urdhrin dhe se ka 14 ditë për ta apeluar vendimin.

Sekretarja e Brendshme e Britanisë, Priti Patel nënshkroi urdhrin që autorizon ekstradimin e zotit Assange në ShBA, ku atë e pret përballja me akuza për publikimin në WikiLeaks të një sasie të madhe dokumentesh të klasifikuara.

Vendimi iu referua zonjës Patel pasi një gjykatë britanike vendosi në prill se zoti Assange mund të dërgohej në ShBA, ku ai do të përballet me gjyq për 17 akuza për spiunazh dhe një akuzë për keqpërdorim të kompjuterit.

Prokurorët amerikanë thonë se zoti Assange ndihmoi në mënyrë të paligjshme analisten e inteligjencës së ushtrisë amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet e klasifikuara diplomatike dhe dosjet ushtarake, që më vonë u publikuan në WikiLeaks, duke rrezikuar jetë njerëzish.

Zyra e Sekretares së Brendshme tha një një deklaratë se “gjykatat e Mbretërisë së Bashuar nuk gjetën fakte se do të ishte e padrejtë, ose abuzim, procesi i ekstradimit të zotit Assange” dhe se prandaj qeveria duhej të miratonte ekstradimin.

“Ata nuk gjetën se ekstradimi do binte në kundërshtim me të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtën e tij për një gjykim të drejtë, si dhe respektimin e lirisë së shprehjes dhe se në ShBA ai do të trajtohet siç duhet, duke përfshirë edhe shëndetin e tij”, thuhet në komunikatë.

Mbështetësit dhe avokatët e 50 vjeçarit Assange, argumentojnë se ai po vepronte në cilësinë e gazetarit dhe se Amendamenti i Parë për lirinë e shprehjes e lejon publikimin e dokumenteve që ekspozonin keqbërjet e ushtrisë amerikane në Irak dhe Afganistan. Ata argumentojnë se rasti kundër tij është i motivuar politikisht dhe se ai nuk mund të ketë një gjykim të drejtë në ShBA.

“Sot nuk është fundi, por vetëm fillimi i një beteje të re ligjore”, tha gruaja e zotit Assange, Stella. Ajo shtoi se vendimi i Mbretërisë së Bashkuar shënon “një ditë të zezë për lirinë e shtypit dhe demokracinë britanike”.

“Juliani nuk bëri asnjë të keqe”, tha ajo. “Ai nuk ka bërë asnjë krim dhe nuk është kriminel. Ai është gazetar dhe botues dhe po dënohet për punën e tij”.

Një gjykatës britanik miratoi ekstradimin në prill, duke e lënë vendimin përfundimtar në duar të qeverisë. Vendimi erdhi pas një beteje ligjore që arriti deri tek Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar.

Fillimisht, një gjykatëse refuzoi kërkesën për ekstradimin me arsyetimin se Julian Assange mund të kryente vetëvrasje nëse mbahej në kushte të rënda burgu në ShBA.

Më vonë, autoritetet amerikane dhanë garanci se themeluesi i WikiLeaks nuk do të përballej me trajtim të ashpër, që siç thonë avokatët e tij do ta rrezikonin shëndetin fizik dhe mendor të zotit Assange. Këto garanci bënë që Gjyakta e Lartë të rrëzonte vendimin e shkallës më të ulët.

Organizatat e gazetarisë dhe grupet e të drejtave të njeriut i kanë bërë thirrje Britanisë që të refuzojë kërkesën për ekstradim. Avokatët e zotit Assange thonë se ai mund të përballet me 175 vite burg nëse dënohet në ShBA, megjithëse autoritetet amerikane kanë thënë se dënimi mund të jetë shumë më i ulët se aq.

Sekretarja e Përgjithshme e organizatës “Amnesty International”, Agnes Callamard tha të premten, se ekstradimi i zotit Assange “do ta vinte atë në rrezik të madh dhe do të dërgonte një mesazh të frikshëm për gazetarët në mbarë botën”.

“Nëse ekstradimi miratohet, Amnesty International është jashtëzakonsiht e shqetësuar se zoti Assange do të përballet me rrezik të lartë të izolimit të zgjatur, që do të përbënte shkelje të masës që ndalon torturën ose forma tjera keqtrajtimi”, tha ajo. “Garancitë diplomatike të ofruara nga ShBA se Assange nuk do të mbahet në izolim nuk mund të merren si të mirëqena duke marrë parasysh historinë e mëparshme”.

Julian Assange është mbajtur në burgun e sigurisë së lartë “Belmarsh” në Londër që nga viti 2019, kur ai u arrestua për shkelje të lirimit me kusht gjatë një beteje tjetër ligjore. Para kësaj, ai kaloi shtatë vite i strehuar në ambasadën e Ekuadorit në Londër për të shmangur ekstradimin në Suedi, ku përballet me akuzat për përdhunim dhe sulm seksual.

Suedia i pushoi hetimet për krime seksuale në nëntor 2019, sepse kishte kaluar shumë kohë.

Në mars, Assange dhe Stella Moris u martuan në një ceremoni të zhvilluar në burg. Tani ata kanë dy djem.

KOSOVA LINDORE, VIJA E PARË E FRONTIT ME SERBINË FASHISTE NGA Msc. AGIM ALIÇKAJ

Në New York dhe Washington delegacioni patriotik i Kosovës Lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) në përbërje Shaip Kamberi, Ardita Sinani, Ragmi Mustafa dhe Nagip Arifi paraqitën javën e kaluar të vërtetën për pastrimin etnik dhe sjelljet anti-njerëzore të Serbisë shoviniste në takimet e shumta e të rëndësishme, me Ambasadorin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Z. Ferit Hoxha, me Bordin Ekzekutiv të Ligës Shqiptaro-Amerikane në New York, në Kongresin Amerikan dhe Departamentin e Shtetit në Washington.

Vizita u organizua nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, në krye me liderët historik të Ligës, Joseph J. Dioguardi dhe Shirley Cloyes Dioguardi. Meritë e veçantë dhe falënderim i takon
Kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së tij për financimin e kësaj vizite me rëndësi për çështjen kombëtare dhe kundërvënjen armikut serb.

-Shteti fashist serb vazhdon me sjelljet armiqësore anti-shqiptare dhe destabilizim të Evropës. I shtypë shqiptarët e Kosovës Lindore duke proklamuar “open Ballkan” me qëllim të plotësimit të aspiratave ruso-serbe për dominim në Evropën Juglindore dhe dalje në detin Adriatik.

-Të gjithë pjesëmarrësit në “Ballkanin e hapur” janë në shërbim të përpjekjeve për rehabilitimin e kriminelëve serb në krye me Vuçiq. Ata në mënyrë të drejtpëdrejtë janë duke e shtyer dhe pamundësuar njohjen e Kosovës nga Serbia. Ata do të dështojnë me turp.

-Gjenocidi serb 2 shekullorë kundër popullit shqiptar nuk mund të fshihet, as të harrohet, as të falet kurrë dhe nga askush. Kriminelët serb të cilët kalërojnë hapur nëpër Beograd duhet të përballen me drejtësinë. Kërkesa për drejtësi nuk konsiderohet hakmarrje në botën e civilizuar.

– Qeverisja aktuale e Kosovës e ka kuptuar gabimin trashanik të qeverisjes së kaluar të cilët nuk insistuan që plani i Ahtisarit t’i përfshijë të drejtat e popullit shqiptar që jeton në tokat e veta në Serbi. Reciprociteti në të drejta është formula e vetme për ta mundur Serbinë. Konfliktin me të duhet ç’vendosur nga Kosova në Kosovën Lindore. Aty duhet të organizohet rezistenca, aty është vija e parë e frontit të konfrontimit me Serbinë fashiste.

– Serbëve të Kosovës nuk ju takon asnjë e drejtë më shumë se shqiptarëve që jetojnë në tokat stërgjyshore të okupuara nga Serbia. Dhe, pikë.

-Kombi shqiptar i bashkuar dhe i përkrahur nga Amerika është më i fortë se Serbia dhe Rusia fashiste. Fitorja është e jona dhe varet vetëm nga ne.

Gjenerali i lartë amerikan: Rusia ka humbur 20-30% të forcës së saj të blinduar

Gjenerali amerikan Mark Milley, është shprehur se rusët kanë humbur afërsisht 20-30% të forcës së tyre të blinduar gjatë luftës në Ukrainë.

Kjo është e rëndësishme, kjo është e madhe,” tha kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët para gazetarëve në selinë e NATO-s në Bruksel.

“Rusët po kryenin gjuajtje masive por pa arritur domosdoshmërisht efekt ushtarak“, tha ai.

Por ukrainasit po përdornin teknika shumë më të mira artilerie dhe duke bërë një luftë shumë efektive taktikisht me zjarre dhe manovra.

Ai tha gjithashtu se raportet në media se 100 ushtarë ukrainas po vdisnin çdo ditë, me 100-300 të tjerë të plagosur, ishin në bazë të vlerësimeve të SHBA.

syri.net

Biden njofton rreth 1 miliard dollarë më shumë ndihmë për Ukrainën

VOA/Marrë nga Reuters

Presidenti Joe Biden njoftoi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë një ndihmë ushtarake shtesë prej 1 miliard dollarësh për Ukrainën, sasia më e madhe e armëve dhe pajisjeve ushtarake që dërgohet njëherësh në një ngarkesë, që nga fillimi i luftës.

Ndihma është pjesë e masave për të ndalur Rusinë në përpjekjet e saj për të pushtuar rajonin lindor të Donbasit. Moska po përparon ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshëm në këtë rajon.

Ndihma përfshin sisteme raketash kundër anijeve, armë të artilerisë së rëndë howitzer dhe më shumë municione për sistemet e raketave me lëvizshmëri së lartë, për të cilat forcat amerikane po trajnojnë tashmë trupat ukrainase. Këto armatime të reja të rënda janë ato që kanë kërkuar me urgjencë udhëheqësit e Ukrainës.

Presidenti Biden tha gjithashtu se SHBA-të do të dërgojë edhe 225 milionë dollarë më shumë në ndihma humanitare, çka do të siguronte ujë të pijshëm, ilaçe, ushqime, kujdes shëndetësor, strehim dhe para për familjet ukrainase, për të blerë sende thelbësore.

Nëpërmjet një deklarate Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur “banorët e Ukrainës, jetët e të cilëve janë shkatërruar nga lufta”.

Me herët gjatë ditës së sotme, në një takim në Bruksel me pjesmarrjen e një numri të madh ministrash të mbrojtjes, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se sulmi i Rusisë në Ukrainë ndodhet në një pikë kritike ndaj Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nuk duhet ta humbasin përqëndrimin në konfliktin e gjatë tre mujor.

Takimi, krahas ministerialit të Mbrojtjes të NATO-s, u përqendrua tek furnizimet me armë për Ukrainën. Kjo është hera e tretë, që grupi me pjesëmarrjen e afro 50 vendeve, takohet për të diskutuar dhe koordinuar ndihmën për Kievin. Takimi i mëparshëm, ishte zhvilluar në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, në muajin prill.

Të hënën këshilltari i presidentit të Ukrainës Mykhailo Podolyak tha se Kievi ka nevojë për 1,000 armë artilerie të rëndë (howitzers), 500 tanke dhe 1,000 dronë, krahas armatimeve të tjera të rënda.

Nuk e kemi luksin të ulim ritmin. Rreziqet janë shumë të mëdha“, tha zoti Austin në fillim të takimit në Bruksel.

Ne duhet të intensifikojmë angazhimin tonë të përbashkët për vetëmbrojtjen e Ukrainës dhe duhet ta nxisim veten edhe më shumë për t’u siguruar që Ukraina të mund ta mbrojë veten, qytetarët dhe territorin e saj”, shtoi zoti Austin.

Para fillimit të takimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se aleatët do të vazhdojnë ta furnizojnë Ukrainën me artileri të rëndë dhe sisteme raketash me rreze të gjatë veprimi dhe se ai pret që ata të bien dakord për një paketë të re ndihmash për Kievin, gjatë takimit të NATO-s që mbahet po këtë muaj.

Ndonjëherë këto përpjekje kërkojnë kohë. Kjo është pikërisht arsyeja se pse është e rëndësishme që të kemi një takim si ky i sotmi. Për t’u takuar me përfaqësuesit e Ukrainës, për të identifikuar sfidat dhe çështjet që ata do të donin të ngrinin me ne“, tha zoti Stoltenberg.

Janusz Bugajski: Vuçiq dhe Putin janë mjeshtër të mohimit dhe mashtrimit

Ka reaguan me një tweet Janusz Bugajski pas takimit të kancelarit gjerman Olaf Scholz me Vuçiç, i cili i konsideron të Serbisë territoret e Kosovës:

“Vuçiq dhe Putin janë mjeshtër të mohimit dhe mashtrimit” -shkruan Janusz Bugajski.

“Kosova u çlirua për të ndaluar gjenocidin shtetëror, ndërsa Rusia rrëmben territore nga shtetet e tjera përmes gjenocidit.”

Televizioni Boin është CNN-i i Malësisë dhe i Diasporës Nga Gjekë Gjonlekaj/

 

Në verën e vitit 2000 një grup malësorësh shqiptarë udhëtuam nga New York-u për në Prishtinë, për të vizituar Kosovën tonë të lirë. Arritëm atje në Itakën tonë pas një çerek shekulli. Ishim dënuar nga pushteti i atëhershëm jugosllav, sepse kishim qënë aktiv në lëvizjen e shqiptarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe për bashkimin kombëtar, edhe pse të gjitha aktivitetet tona kishin qënë në pajtueshmeri me Kushtetutën dhe ligjet amerikane. Ndërsa po kalonim me aeroplan nëpër qiellin e kaltërt të Dardanisë nga dritaret e aeroplanit po shikonim fushat dhe malet e bukura të asaj treve historike dhe legjendare.

Përveç qytetarëve të Kosovës, në Prishtinë kishin ardhur edhe një grup malësorësh nga Mali i Zi, midis të cilëve dalloheshin Tomë Bojaj dhe Luigj Berishaj të emisionit televiziv në gjuhën shqipe në Podgoricë për të marre pjesë në Panairin e Librit. Aty po merrja pjesë edhe unë me disa vepra të botuara anglisht dhe shqip në New York. Organizatorët e këtij Panairi e pritën mirë ndërmarrjen time botuese Gjonlekaj Publishin Company. Gjatë atyre ditëve në Prishtinë shumicën e kohës e kaluam me Tomën Bojaj dhe Luigjin Berishaj. Tomë Bojaj ishte njeri i veçantë. Ky djalë i ri të jepte përshtypjen e një profesionisti që aspironte punë të mëdha dhe të mira. Toma ishte shumë i matur dhe i ndjeshëm ndaj çështjes kombëtare. Fliste ngadalë dhe nuk premtonte shumë. Kishte alergji ndaj fjalëve të mëdha e punëve të vogla. Ishte optimist në jetë, por ajo çka shkëlqente në sytë dhe fytyrën e tij ishin cilësitë e tij të mrekullueshe prej një patrioti të vërtetë. Fliste me pasion për historinë, kulturën dhe traditat tona, e veçanërisht ato të Malësisë së Madhe.

U miqësuam në Prishtinë, mbase ndikim të madh kishin idealet dhe profesionet tona të përbashkëta. Toma ishte elegant dhe çdo punë i kishte hije. Ishte shumë i brengosur lidhur me shtypjet dhe diskriminimet sërbo-malazeze ndaj malësorëve. Këto cilësi fisnike dhe patriotike e shtynë që një vit më vonë, pikërisht Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor të vitit 2001 të themelonte Televizionin e pavarur në gjuhën shqipe.

Data të cilën e kishte caktuar për inagurimin e këtij televizioni tregonte më së miri kush ishte Tomë Bojaj. Këtij televizioni i dha emërin BOIN që ishte vendlindja e tij në Grudën historike të Malësisë së Madhe, ku kishin jetuar shumë familje të përmendura . Puna dhe përpjekjet për themelimin e këtij televizioni kishin qënë tepët të vështira, por Toma dhe bashkëshortja e tij Sandra Bojaj ia kishin vënë themelet e forta që për më shumë se dy dekada nuk e lëkundën asnjë herë stuhitë e ndryshme, bile as ato shoviniste. Ky televizion u themelua për qëllime të mira kombëtare dhe Zonja Bojaj meriton respekt gjithëkombëtarë sepse po e vazhdon amanetin e burrit të saj të ndjerë.

Tragjedia e tij personale sëmundja dhe më vonë vdekja kishin qënë katastrofë e papërshkrueshme për familjen e tij dhe për të gjithë malësorët në Malësi e në diasporë.Toma u përcoll me nderime të mëdha. Dom Nosh Gjolaj në një intervistë që u transmetua në TV BOIN e krahsoi Tomë Bojajn me burrat më të përmendur të Malësisë së Madhe. Në ato kohë të vështira dëgjoheshin përshpërima se ky televizion mund të ndërpriste transmetimet. Por shikuesit e rregullt të këtij televizioni i luteshin Zotit që të mos ndodhë një gjë e tillë.

Zonja Sandra Bojaj ishte para dy provave të mëdha e të vështira: jeta, edukimi dhe arsimi i katër fëmijëve të moshës tepër të re. Por edhe vazhdimi i Televizionit BOIN, që ishte amanet i burrit të saj.

Ajo mori dy përgjegjësi të mëdha në jetë, duke vazhduar kujdesin e gjithanshëm të fëmijëve dhe të Televizionit BOIN me nder e dinjitet. Qëndrimi i saj na kujton ato malësoret fisnike të shekullit të kaluar, të atyre malësoreve te mrekullueshme të cilat pas vdekjes së burrave ruanin shtëpinë, nderin e familjes dhe fisit. Ky rast i veçantë evokon një zonjë amerikane e cila mori përsipër vazhdimin e gazetës “The Washington Post” pas vdekjes tragjike të burrit të saj. Kjo grua e famshme amerikane quhej Katharine Graham e cila e menaxhoi këtë gazetë, duke hyrë në historinë e Amerikës për guximin dhe aftësitë e saj të veçanta në përparimin e gazetarisë. Ajo ishte gruaja e parë në Amerikë e cila kishte krijuar “Tryezën e Rrumbullakët”, për t’u ulur të gjithë njësoj. Zonja Katherine Graham vdiq në vitin 1991 dhe u përcoll për në amëshim me nderimet më të mëdha nga elita politike dhe intelektuale e Washingtonit, ku kishte marrë pjesë edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara George H. Bush dhe dy ish-presidentë amerikanë.

Sot qytetërimi botëror e konsideron televizionin si fuqinë e katërt të shoqërisë njerëzore, ku bëjnë pjesë ekzektivi, legjislativi dhe gjyqësori. Televizioni BOIN shkëlqen si drita e diellit në ekranet televizive të Malësisë mbase edhe me shumë në diasporën e Amerikës dhe Evropës. Malësorët e Amerikës bile edhe ata që e kuptojnë mirë gjuhën angleze, përsëri qëndrojnë gjithë ditën dhe në mbrëmje deri vonë me këtë kanal të dashur. Qëndrojnë edhe më shumë ata që kanë nostalgji për vendlindjet e tyre. TV BOIN është një pasqyrë e vërtetë e Malësisë dhe Tuzit. Gazetarët dhe punëtorët teknikë janë të mrekullueshëm. Gazetaret e TV BOIN bisedojnë me popullin shumë të qeta dhe pa provokime. Edhe telespektatorët e diasporës ndihen mirë kur i shikojnë emisionet të cilat i drejtojnë ato. TV BOIN është shumë i kujdesshëm ndaj te varfërve, që tregon se janë edhe humanistë. Të gjitha këto veprime bëhen me sugjerimet e Drejtoreshës Ekzekutive Zonjës Sandra Bojaj dhe personelit të këtij televizioni. TV BOIN ishte iniciator për ndërtimin e gjithë atyre shtëpive për më të varfërit. Kameramanët Mark Ujkaj dhe Xhenan Dresheviq janë specialistë të xhirimeve më të bukura të ngjarjeve dhe natyrës piktoreske të maleve dhe fushave tona. Edhe këta meritojnë respekt njësoj si personeli i gazetarisë.

TV BOIN luan rol të shkëlqyeshëm në afirimin e të rinjëve dhe të rejave duke filluar nga shkollat fillore deri në shkollën e mesme të Tuzit. Ky emisin televiziv është shumë korrekt dhe i balancuar me instituconet fetare, qofshin ato të krishtera ose islame. Ata përciellin me shumë kujdes të gjitha aktivitetet kulturore, duke qënë të pranishëm në gëzime dhe hidhërime të mëdha. TV BOIN ishte pranë Tuzit dhe Malësië për kërkesat e tyre politike, sidomos për themelimin e Komunës së Tuzit. Ky televizon transmeton me përgjegjësi dhe përpikmëri të gjitha mbledhjet e Kuvendit të Tuzit dhe festat tjera të kësaj Perfekture shumë të re, duke qënë shumë objektiv kur është fjala për përparimet e medha gjatë këtyre viteve të fundit. Në këtë ekran ne shqiptarët e Malësië në diasporë e shohim vendlindjen tonë sikur t’i kishim në shuplakë të dorës. Kjo është meritë e kameramanëve dhe gazetarëve të cilët punojnë me mish e shpirt për dëshirën e popullit të Malësisë dhe diasporës. Shumica e bashkëvendasve tanë nga ato treva janë shumë të kënaqur me punën që bën TV BOIN.

Ky televizion ka bërë gjithë ato dokumentare filmike dhe reportazhe. Marrim si shembull reportazhin e fundit në lidhje me “Kullën e Çun Mulës dhe pasardhësve të tij. Ky reportazh zgjoi ndjenjat e respektit dhe dashurisë në diasporë për këtë familje heroike dhe fisnike, ku bën pjesë edhe autori i këtij shënimi. Te mos harrojmë vlerën e madhe të Arkivit të TV BOIN.

Për më shumë se dy dekada, e nuk kam dëgjuar dhe as nuk kam parë asnjë përpjekje ose thirrje serioze shoqërore për të ndihmuar vazhdimisht këtë emision televiziv. Është e vërtetë se disa individë kanë dhënë kontribute të dukshme për të mirën e këtij mediumi, por numri i tyre është i vogël. Kohët po ndryshojnë dhe ekonomia po stagnon, sidomos pas rritjes së çmimeve të karburantit dhe lëndëve tjera djegëse.

Automjetet të cilat duhet t’i vëjë në veprim TV BOIN kërkojnë shumë gaz dhe riparime dhe kjo gjëndje që filloi pas sulmit të Rusisë në Ukraian e përkeqësoi gjëndjen, sidomos ekonominë e cila varet tek nafta. Televizioni BOIN për ne në Amerikë është si një dritare, jep dritë dhe pa këtë dritare ne jemi në gjysëm errësirë. Tani është koha të mendojmë shoqërisht dhe sinqerisht për një mbështetje serioze dhe të qëndrueshme për një kohë të gjatë. Zonja Bojaj ka kaluar ditë të vështira sidomos pas vdekjes së burrit të saj, ngase disa njerëz të mbrapshtë të pabesë të Malësisë në bashkëpunim me oraganet antishqiptare e kanë kërcënuar shumë herë me gjoba dhe kërcënime të tjera shumë shqetësuese. Të gjithë e dimë se në të gjitha veprimtaritë serioze çështja financiare luan rol vendimtar. Dëgjohen fjalë të mira për Boinin.

Po një fjalë e urtë popullore thotë: “fjalët e mira dhe gurët në strajcë nuk ndihëmojnë gjë”. Dëgjoj fjalë të mira por siç duket ato janë gurë në strajcë e jo bukë në strajcë. Në Kosovë populli thotë: “është me të dhënme e jo me të thënme”. Sikur mijëra familje të jepnin vetëm 25 cent amrikane ( një quarter) në ditë TV BOIN do të shkëlqente. Ata do të kishin mundësi të dërgonin bashkëpunëtorë dhe korrespondentë në të gjitha shtetet ku jeton diaspora. Diaspora e Malësië në Amerikë dhe në Evropë mund të kontribojë qindra mijëra dollarë në vit. TV BOIN duhet të hapë një llogari rrjedhëse për depozitimin e mjeteve drejtëpërsëdrejti, mundësisht edhe ndonjë llogari tjetër elektronike moderne për grumbullimin e fondeve. Ashtu siç është nderuar Tomë Bojaj gjatë jetës dhe vdekjes, ashtu do të nderohet edhe Sandra Bojaj. Ajo sot është ndër gratë më të mëdha që ka dhënë Malësia dhe mund të krahasohet me gratë dhe bijat më fisnike ku bëjnë pjesë Tring Smalja e Grudës dhe Nore Kolja e Hotit.

Viti i parë i dekadës së tretë të këtij Televizioni duhet të jetë viti më i sukseshëm i mbështjes financiare. Në qoftë se ne e plotësojmë këtë mbështetje, atëherë edhe Televizioni BOIN do plotësojë dëshirat tona.

Im zot Noli do të kishte thënë mbahu Sander e mos ki frikë se ke vëllezrit në Amerikë.

McCaul: SHBA të japë gjithë mbështetjen e duhur që Ukraina të zmbrapsë forcat ruse

VOA/Ani Chkhikvadze

Kreu i republikanëve në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme Michael McCaul thotë se Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin Ukrainës gjithë ndihmën e duhur ushtarake që ajo të mund të zmbrapsë Rusinë. Ligjvënësi McCaul në një intervistë për Shërbimin Gjeorgjian të Zërit të Amerikës thotë se lufta është në një moment kritik. Ai shton se krimet e luftës e kanë bërë të vështirë të negociohet me Vladimir Putinin, por se në fund të fundit kjo varet nga Kievi dhe presidenti Volodymyr Zelenskiy. Zoti McCaul flet gjithashtu për ndikimin rus në Ballkan.

Zoti McCaul ka qenë disa herë në rajon dhe thotë se Ukraina duhet ndihmuar me të gjitha mënyrat e mundshme.

“Ne duhet t’u japim atyre gjithçka mundemi, gjithçka që u nevojitet për të luftuar këtë luftë. Tani është moment kritik sepse rusët po fitojnë terren dhe ne duhet t’u japim atyre artileri me rreze më të gjatë veprimi që jo vetëm të kenë të njëjtën aftësi, por t’ua kalojnë rusëve”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Ai shton se megjithëse janë dërguar armë në Ukrainë, ai është dakord me presidentin Zelenskiy se duhet bërë më shumë. Ligjvënësi McCaul thotë se me ndryshimin e objektivit të luftës pasi nuk mori nën kontroll Kievin, Moska synon bllokimin e daljes në Det të Zi për Ukrainën.

“Prandaj ne duhet të sigurohemi që ata të mos e marrin Odesën, një nga portet kryesore. Unë sapo u ktheva nga Moldavia dhe moldavët janë shumë të shqetësuar se nëse rusët marrin Odesën, ata mund të hyjnë në Moldavi, që nuk është vend i NATO-s”, tha ai.

Zoti McCaul thotë se do që ukrainasit të fitojnë sa më shpejt, ose të paktën të jenë në gjendje t’i largojnë forcat ruse, pasi përndryshe, do të ketë një konflikt të gjatë.

“Unë mendoj se duhet të jetë politika e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s që të sigurohen që Ukraina të mund të ruajë sovranitetin e saj dhe t’i zmbrapsë rusët drejt kufijve”.

Duke u përgjigjur për qëndrimet e aleatëve ndaj negociatave, përfshirë Francën që është shprehur të mos “poshtërohet” Valdimir Putini, ligjvënësi republikan me peshë thotë se për shkak të krimeve të luftës, është bërë e vështirë të bëhen negociata.

“Është e vështirë ta kthesh kohën prapa. A mund të uleshe në një tryezë me Hitlerin dhe të negocioje duke i dhënë Çekosllovakinë dhe Poloninë në këmbim të paqes? Mendoj se Putini e ka tejkaluar aq shumë me krimet e tij të luftës, sa që e bën shumë të vështirë negociimin. Por në fund të fundit varet nga populli ukrainas dhe presidenti Zelenskiy se çfarë dhe nëse duan të negociojnë”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Zoti McCaul shton se po ashtu i takon Ukrainës që të vendosë nëse do të pranojë të ketë një pozicion neutraliteti në këmbim të një marrëveshjeje të mundshme paqeje.

Lidhur me perspektivën e anëtarësimit në NATO, ai thotë se është gjithmonë për zgjerimin e aleancës.

“Unë mendoj se Ukraina e ka merituar anëtarësimin në NATO dhe unë do të isha në favor të këtij anëtarësimi. E di se në të kaluarën ka pasur rezerva se kjo do të na fuste në luftë. Dhe ka qenë shqetësimi i problemeve me korrupsionin dhe faktin që presidentët e mëparshëm mund të kenë qenë nën ndikimin e Rusisë. Unë nuk mendoj se e kemi atë shqetësim me Zelenskiyn”, thotë ai.

Zoti McCaul shpreh shqetësimin për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, përfshirë përmes disinformimit dhe se për fat të keq Kina është bashkuar në këtë fushatë.

“Ai po gënjen njerëzit në Ballkan po gënjen njerëzit në Ukrainë po gënjen vetë trupat e tij, se cili është misioni i tyre pse janë në Ukrainë në radhë të parë? E gjitha bazohet në një gënjeshtër dhe mendoj se njerëzit në ato vende duhet ta dinë këtë”, thotë ai.

“Nuk është në interesin më të mirë të Ballkanit të jetë nën gishtin e Putinit, një diktatori, dikush që është plotësisht kundër lirisë dhe demokracisë për popullin e tij”, thotë zoti McCaul.

Hetim i Kongresit në SHBA: Donald Trump akuzohet për “grusht shteti”

Një hetim i Kongresit në SHBA teksa ka analizuar faktet mbi bastisjen që ju bë godinës së Capitol , pak para inaugurimit të Joe Biden si President, ka akuzuar ish-kreun e Shtetit, Donald Trump si përgjegjës për orkestrimin e këtyre trazirave.

Kujtojmë se mbështetësit e Trump sulmuan Kongresin më 6 janar 2021 ndërsa ligjvënësit u takuan për të vërtetuar fitoren zgjedhore të Joe Biden.

 

Përplasja e dhunshme e vitit të kaluar në Capitol konsiderohet tashmë si një “grusht shteti në tentativë” dhe Liz Cheney, nënkryetarja republikane e komitetit tha se Trump kishte “ndezur flakën e këtij sulmi”.

“Ata që pushtuan Kapitolin tonë dhe luftuan me zbatimin e ligjit për orë të tëra u motivuan nga ajo që Presidenti Trump u kishte thënë: se zgjedhjet u vodhën dhe se ai ishte i drejti, president. Presidenti Trump thirri turmën, mblodhi turmën dhe ndezi flakën e këtij sulmi”, deklaroi Cheney.

Ndërkohë demokrati Bennie Thompson tha se trazirat rrezikuan demokracinë amerikane. Thompson, kryetari i komitetit dhe një ligjvënës i Misisipit, tha në seancën dëgjimore: “6 janari ishte kulmi i një tentative për grusht shteti, një përpjekje e pacipë, siç e tha një shkrimtar pak pas 6 janarit, për të përmbysur qeverinë. Dhuna nuk ishte rastësi. Ishte qëndrimi i fundit i Trump”.

Jan6 Seige Gty Ps 210706 1625581072049 Hpmain 16x9 992

Pas pothuajse një viti hetimi, komiteti i përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, i udhëhequr nga Demokratët, u hap të enjten në mbrëmje duke shfaqur pjesë nga intervistat e kryera me anëtarë të rrethit të brendshëm të Trump.

Pamjet u transmetuan nga dëshmia e ish-Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së, Bill Barr, duke thënë se pretendimet e Trump se zgjedhjet ishin vjedhur ishin të pabaza.

 

“Ne nuk mund të jetojmë në një botë ku administrata aktuale qëndron në pushtet bazuar në pikëpamjen e saj, të pambështetur nga prova specifike, se ka pasur mashtrime në zgjedhje”, tha ish-prokurori i përgjithshëm.

 

Seanca dëgjimore paraqiti gjithashtu një regjistrim të dëshmisë nga Ivanka Trump, vajza e ish-presidentit, duke thënë se ajo “pranoi” refuzimin e Barr mbi teorinë e konspiracionit të babait të saj.

 

Përpara se hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve të hapej të enjten në mbrëmje, e para nga gjashtë seancat dëgjimore që priten këtë muaj, Trump u kujdes që të hidhte poshtë akuzat duke i konsideruar “sulm politik”.

Ish-presidenti ka lënë të kuptohet publikisht për një tjetër kandidim në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, ndërkohë që vazhdon të tregojë pretendime të pabazuara se zgjedhjet e fundit ishin manipuluar nga mashtrimi masiv i votuesve. bw

Studentët sfidojnë Sekretarin Blinken për mbështetjen e lirisë së shtypit

VOA/Cindy Saine

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken bisedoi me disa studentë gazetarë mbi gjendjen e lirisë së shtypit në botë ndërsa mori pjesë në Samitin e Amerikave në Los Anxhelos. Studentët ngritën pyetje të tilla si përse Shtetet e Bashkuara angazhohen me vende, që supozohet se kanë vrarë gazetarë, si Arabia Saudite, ndërsa dënojnë vende të tjera – si Kuba, Nikaragua dhe Venezuela – për kërcënimin e lirisë së shtypit. Korrespondentja e lartë diplomatike e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, raporton.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po takohet me një numër homologësh të tij në Los Anxhelos në Samitin e Amerikave. Shtetet e Bashkuara kanë përjashtuar nga samiti Kubën, Nikaraguan dhe Venezuelën. Sekretari Blinken vuri në dukje se 17 punonjës të medias janë vrarë këtë vit në hemisferën perëndimore. Njëmbëdhjetë prej tyre u vranë në Meksikë.

“Asnjë rajon në botë nuk është më i rrezikshëm për gazetarët. Krime të tilla vazhdojnë të ndodhin sepse njerëzit që i urdhërojnë dhe i kryejnë ato, rrallë mbahen përgjegjës duke dërguar mesazhin se këto sulme mund të vazhdojnë pa u ndëshkuar”.

Në një forum me studentë të gazetarisë, sekretari Blinken u pyet përse aleati i ngushtë i Amerikës, Izraeli, nuk është përballur me pasoja për vrasjen e gazetares palestinezo-amerikane Shireen Abu Akleh.

“Më vjen shumë keq për humbjen e Shireen-it. Ajo ishte një gazetare e jashtëzakonshme, një qytetare amerikane siç e dini. Edhe në këtë rast ne jemi të vendosur të ndjekim faktet dhe të arrijmë tek e vërteta e asaj që ndodhi. Jo, më vjen keq, me respekt ju them, se faktet e vrasjes ende nuk janë vërtetuar”, tha sekretari Blinken.

Një raport i CNN-it mbi vrasjen, citon dëshmitarë të cilët thanë se gazetarja Abu Akleh u qëllua për vdekje, në atë që dukej të ishte një sulm i ndërmarrë qëllimisht nga forcat izraelite. Izraeli i mohon me forcë akuzat dhe thotë se po heton vrasjen, e cila ka ndezur zemërim dhe protesta.

Presidenti Joe Biden po shqyrton planet për të vizituar Arabinë Saudite, pavarësisht kritikave të ashpra në të kaluarën ndaj Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, duke thënë se do ta izolonte atë për shkak të vrasjes së gazetarit të Washington Post-it, Jamal Khashoggi. Ekspertët thonë se ky është një tjetër rast për të gjykuar presidentin se sa i përkushtuar është ndaj lirisë së shtypit.

“Dëshira për të ulur çmimet e naftës po sjell me të vërtetë një tension interesant, midis asaj që administrata kishte thënë se do të ishte një politikë e jashtme, e bazuar në të drejtat e njeriut dhe një politikë, që i shërben klasës së mesme, ndërsa klasa e mesme në Amerikë me të vërtetë i urren çmimet e larta të karburantit”, thotë Rachel Oswald me Institutin e Gazetarisë “National Press Club”.

Ekspertët thonë se rritja e çmimeve të benzinës ka të ngjarë të jetë një nga faktorët pas ndryshimit të qëndrimit të presidentit Biden për t’u takuar me princin saudit të kurorës.

Daniel Serwer: Ballkani i Hapur është iniciativë e vdekur, nuk i duhet rajonit

E vetmja rrethanë kur Kosova duhet ta marrë në konsideratë propozimin për anëtarësim në ‘Ballkanin e Hapur’, është nëse i ofrohet statusi i barabartë me shtetet e tjera që marrin pjesë.

Kështu ka deklaruar profesori i Universitetit “John Hopkins” në SHBA, Daniel Serwer.

Ai ka thënë se, një gjë e tillë nuk i është ofruar Kosovës, dhe se sipas tij, Kosova nuk duhet as ta marrë parasysh propozimin e jo më të anëtarësohet.

“E vetmja rrethanë në të cilën Kosova duhet të marrë në konsideratë një propozim është nëse i jepet statusi i barabartë me shtetet e tjera sovrane të përfshira. Kjo, me sa kuptoj unë, nuk i është ofruar Kosovës në Ballkanin e Hapur, kështu që propozimi as që duhet të merret parasysh”, ka deklaruar Serwer.

Serwer thotë se iniciativa e ‘Ballkanit të Hapur’ nuk është hap i duhur për Ballkanin, dhe se sipas tij, të gjitha aktivitetet që supozohet se mund të kryhen në ‘Ballkanin e Hapur’, mund të bëhen edhe në alternativa të tjera, që janë më të dobishme, siç është procesi i Berlinit apo SEFTA.

“Jo me të vërtetë. Gjithçka që kam dëgjuar për Open Balkans sugjeron që aktivitetet e tij mund të kryhen të gjitha brenda Procesit të Berlinit dhe SEFTA-s”, ka thënë shkurt ai.

Profesori amerikan ka komentuar edhe deklaratën e dhënë nga Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, i cili tha se ideja për Ballkanin e Hapur, ishte e Serbisë. Kjo deklaratë, sipas Serwer, do ta pengojë krijimin e një nisme të tillë, për shkak të reputacionit negativ të shtetit rus në Ballkan. Sipas tij, Rusia është e mirëpritur vetëm në Serbi dhe në ‘Republika Srpska-n’, në Bosnjë e Hercegovinë.

“Unë mendoj se shumica prej tyre tani do të kenë mendime të dyta rreth anëtarësimit. Rusia nuk është një faktor i mirëpritur në Ballkan këto ditë, me përjashtim të Serbisë dhe Republika Srpska”, u shpreh Serwer për PortaliD.

I pyetur se a është edhe në interesin e SHBA-së iniciativa e Ballkanit të Hapur, Serwer u shpreh se personalisht mendon se jo, por se të njëjtin mendim nuk e ndan edhe qeveria amerikane. “Unë jo, por qeveria amerikane e bën. Ata duhet vendosin se si duhen bërë gjërat”, ka thënë shkurt ai.

Në fund, Serwer thotë se nuk është i sigurt nëse të gjitha vendet pjesëmarrëse do të qëndrojnë gjatë në një iniciativë të tillë. Sipas profesorit amerikan, Ballkani i Hapur në rrethanat aktuale, është një iniciativë e vdekur.

“Nuk jam i sigurt që të gjitha këto pozicione do të mbahen. Mendimi im është se në rrethanat aktuale, për shkak të agresionit rus në Ukrainë, Open Balkans është një letër e vdekur”, ka deklaruar Serwer.


Send this to a friend