Është ndoshta muzeu më i pazakontë – dhe më ekskluziv – në botë, i mbushur me artefakte që kanë “formësuar” historinë. Por dyert e tij janë të mbyllura për publikun.
Është i vetmi vend që një vizitor mund të shohë armën e gjetur të Osama bin Laden kur u vra, pranë xhaketës së lëkurës së Sadam Huseinit.
Dhe sipas BBC, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për muzeun sekret të brendshëm të CIA-s.
I vendosur brenda selisë së agjencisë së inteligjencës amerikane në Langley, Virxhinia, ai sapo është rinovuar për të shënuar 75 vjetorin e agjencisë.
Siç vë në pah mediumi britanik, një grupi të vogël gazetarësh, përfshirë BBC-në, iu dha qasje ekskluzive, megjithëse me një eskortë sigurie vazhdimisht pranë tyre.
BBC tregon se ndër 600 artefaktet e ekspozuara janë llojet e pajisjeve të spiunazhit të Luftës së Ftohtë që mund të prisni – një kamerë e fshehtë brenda një pakete cigareje dhe një pëllumb me kamerën e tij spiune.
Por ka edhe detaje mbi disa nga operacionet më të famshme dhe madje të fundit të CIA-s.
Në ekspozitë është gjithashtu një model i kompleksit në të cilin u zbulua Osama bin Laden në Pakistan.
Presidentit Barack Obama iu tregua një model përpara se të miratonte bastisjen që vrau liderin e Al-Kaedës në vitin 2011.
“Mundësia për të parë gjërat në 3D në fakt i ndihmoi politikëbërësit…si dhe ndihmoi operatorët tanë të planifikonin misionin”, shpjegon Robert Z Byer, drejtori i muzeut që ofroi një turne.
Më 30 korrik të këtij viti, një raketë amerikane goditi një tjetër kompleks, këtë herë në kryeqytetin afgan Kabul. Objektivi ishte udhëheqësi i ri i al-Kaedës, Ayman al-Zawahiri.
Dhe ekspozita më e fundit, e sapodeklasifikuar, është një model i kompleksit të përdorur për të informuar presidentin Joe Biden më 1 korrik 2022 mbi misionin e propozuar.
Zawahiri u godit ndërsa ishte në ballkon pasi komuniteti i inteligjencës amerikane kaloi muaj të tërë duke studiuar lëvizjet e tij.
Gjysma e parë e muzeut shkon përmes një rendi kronologjik që nga themelimi i CIA-s në vitin 1947 deri në Luftën e Ftohtë, me sulmet e 11 shtatorit 2001 – në zhvendosjen drejt fokusimit në kundër-terrorizëm, me objekte të ekspozuara të dhuruara nga disa prej atyre të cilëve të afërmit vdiqën në sulme.
“Ky muze nuk është vetëm një muze për hir të historisë. Ky është një muze operativ. Ne marrim oficerët e CIA-s [dhe i dërgojmë përmes tij], duke eksploruar historinë tonë, të mirën dhe të keqen”, thotë Byer.
“Ne sigurohemi që oficerët tanë të kuptojnë historinë e tyre, në mënyrë që ata të mund të bëjnë një punë më të mirë në të ardhmen. Ne duhet të mësojmë nga sukseset tona dhe dështimet tona në mënyrë që të jemi më të mirë në të ardhmen”.
Megjithatë, disa nga aspektet më të diskutueshme të punës së CIA-s janë më pak të dukshme – për shembull operacioni i saj i përbashkët i vitit 1953 me MI6, për të përmbysur një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike në Iran dhe përfshirja më e fundit në torturimin e të dyshuarve terroristë pas vitit 2001.
“Ne as mund të konfirmojmë apo mohojmë”
Sipas shkrimit të BBC, gjysma e dytë e muzeut fokusohet në detaje në disa operacione specifike.
Fraza “nuk mund të konfirmojmë as mohojmë” është e njohur për ata që raportojnë për agjencitë e inteligjencës dhe origjina e saj qëndron në një histori të detajuar në muze duke përdorur sende të paparë më parë.
Në fund të viteve 1960, një nëndetëse e Bashkimit Sovjetik humbi diku në fund të oqeanit.
Pasi SHBA-ja e gjeti atë, CIA punoi me miliarderin Howard Hughes për të provuar të rikuperonte rrënojat – dhe teknologjinë në bord.
Muzeu përmban një model të nëndetëses sovjetike dhe jo vetëm. Madje është ekspozuar edhe një paruke e mbajtur nga zëvendësdrejtori i CIA-s për t’u maskuar gjatë një vizite në anije.
Misioni ishte vetëm pjesërisht i suksesshëm sepse nëndetësja u “shpërbë”.
“Shumica e asaj që ata gjetën në bordin e asaj nëndetëse është ende e klasifikuar edhe sot e kësaj dite”, tregon Byer.
Kur u publikua lajmi për atë që njihej si Projekti Azorian përpara se të nxirrej pjesa tjetër e nëndetëses, zyrtarëve iu tha të thoshin se nuk mund “as të konfirmonin dhe as të mohonin” atë që kishte ndodhur – një frazë e njohur si “përgjigjja Glomar” dhe e përdorur ende gjerësisht tani.
Sipas Wikipedia, USNS Hughes Glomar Explorer (T-AG-193), ishte një platformë shpimi në det të thellë e ndërtuar për Projektin Azorian, përpjekje e fshehtë e vitit 1974 nga Divizioni i Veprimtarive Speciale të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara për të rikuperuar nëndetësen sovjetike.
Dhe kur bëhet fjalë për deshifrimin, tavani i muzeut të ri përmban gjithashtu mesazhe të fshehura në lloje të ndryshme kodesh.
Ambicia, thonë zyrtarët e CIA-s, është që imazhet të ndahen me publikun në mediat sociale për të parë nëse mund t’i zhbëjnë ato. Disa nga ekspozitat do të jenë gjithashtu të disponueshme për t’u parë në internet. Por për momentin, kjo mund të jetë më e afërta që shumica e njerëzve mund të arrijnë në këtë muze. bw