VOAL

VOAL

SEKRETARI KERRY ANULON UDHËTIMET NË MADRID E PARIS

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka anuluar udhëtimet zyrtare në Madrid dhe Paris, pasi ka pësuar një aksident me biçikletë në Francë.

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se Kerry, 71 vjeç, ka lënduar këmbën dhe se është dërguar me helikopter në Gjenevë.

Zëdhënësi John Kirby ka thënë se Kerry do të udhëtojë në SHBA për trajtim dhe se ai pritet të shërohet plotësisht.

Aksidenti ka ndodhur në Scionzier të Francës.

Kerry është dashur të takojë në Paris kryeministrin e Irakut, Haider al-Abadi, për të biseduar për luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik. rel

KINËS – INTEGRIM NE VEND TË KUFIZIMIT

Kina kërkon të rikthehet në krye të botës. Përgjigja e Evropës dhe e Perëndimit duhet të jetë: Kina të integrohet – të paktën në sektorët, ku kjo është e mundur, mendon Philipp Bilsky.

Mesazhi ishte i qartë. “You go!”-“Mbathjani!”. Gjithsej tetë herë i kërkoi marina kineze javën e kaluar një avion spiunazhi të SHBA që të tërhiqet. Avioni ushtarak amerikan po fluturonte mbi një rajon në Detin e Kinës së Jugut, për të cilin Kina ka pretendim për vete. Një zonë detare, në të cilën Republika Popullore përpiqet që me ndërtimin e ishujve artificialë të krijojë fakte – më shumë se 1000 kilometra larg zonës kontinentale të Kinës dhe nën protestat e ashpra të disa shteteve fqinje dhe të SHBA.

Kina i përfaqëson interesat e saj në rajon në mënyrë shumë më intensive se sa disa vite më parë. Qendra Kërkimore kryesore në Gjermani për studimet për Kinën, Insituti Mercator për Studimet për Kinën në Berlin, sheh madje një fund të politikës kineze të hapjes. Kolonat bazë të politikës së njohur nga Ten Hsiaopini, në tri dekadat e gjysmë të kaluara, tani nën Xi Ping po eleminohen njëra pas tjetrës – midis tyre edhe politika e përmbajtur e jashtme.

Ndryshim thelbësor në politikën e jashtme të Kinës?

Shumëçka flet për një tezë të tillë. Veprimet e forcës në Detin e Kinës Jugore janë vetëm një shembull. Veç kësaj, Kina përpiqet që me projektin e saj për një Rrugë të re të mëndafshtë të depërtojë në Azi me një rrjet infrastrukturor, në qendër të të cilit të jetë Kina. Dhe Pekini po krijon institucione të reja ndërkombëtare, në të cilat Kina ka një peshë më të madhe. Këto veprime jashtë vendit shoqërohen në vend me një ndryshim rrënjësor të ekonomisë kineze. Deri në vitin 2049 Kina do të kthehet në një superfuqi industriale – të mos jetë vetëm tavolina e punës e botës, por një qendër inovacioni dhe efikasiteti.

Bilsky Philipp Philipp Bilsky

Kina do që të kthehet atje, ku Pekini mendon se e ka pasur historikisht vendin: në krye të shteteve të botës. Që kjo të arrihet, është gjithçka tjetër por jo vetëkuptueshme. Sepse lista e sfidave duket e pafundme. Sfida ndoshta më e madhe nga pikëpamja e qeverisë kineze: mbajtja e premtimit, që i ka dhënë partisë komuniste në dekadat e shkuara legjitimimin në popull – që kinezët të jetojnë sot ekonomikisht më mirë se dje. Dhe që nesër ata të jetojnë më mirë se sot. Mbajtja e këtij premtimi duket – përballë nevojës së rishpikjes së plotë të modelit ekonomik kinez – e parë nga jashtë nganjëherë gati e pamundur.

Kina kërkon ta zgjerojë edhe më ndikimin

Por këto janë çështjet e dekadave të ardhshme. Për momentin është e sigurtë: Kina po e zgjeron edhe më tej ndikimin e saj. Çfarë do të thotë kjo për Evropën? Çfarë do të thotë për Perëndimin? Ata duhet të përpiqen – sa herë të jetë e mundur – të bashkëpunojnë me Kinën dhe ta përfshijnë e integrojnë Kinën. Ajo që nuk funksionon, këtë e konfirmuan në mënyrë impresionuese SHBA para pak kohësh: të kufizohet ndikimi i Kinës dhe që Kinës t’i vendosen kufij. Kur Pekini ngriti Bankën Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë (AIIB), SHBA u përpoqën t’i bindin aleatët e tyre që t’i rrijnë larg këtij institucioni të ri. Për Uashingtonin ky ishte një superskandal diplomatik. Njëri vend pas tjetrit u bashkuan me inisiativën kineze, edhe me argumentin se fjalën e tij mund ta thotë vetëm ai që edhe ndodhet në tryezë.

Një hap i drejtë. Por e qartë megjithatë është edhe: atje ku interesat kundërvihen direkt, bashkëpunimi është thuajse i pamundur. Deti i Kinës Jugore është shembulli më i mirë. Kina do ta zgjerojë edhe më tej ndikimin e saj atje. Jo së fundi, sepse ky rajon edhe për zhvillimin ekonomik të Kinës, nga pikëpamja kineze ka një rëndësi strategjike. SHBA nga ana tjetër shohin se vendi i tyre i deritashëm në rajon është i rrezikuar. Ndërsa vendet fqinjë e shohin gjithashtu me shqetësim dominimin e parashikueshëm të Pekinit. Një zgjidhje e kësaj çështjeje nuk duket në horizont, konfliktet e ardhshme janë paraprogramuar që sot

FIFA – SHBA NIS PROCEDIME TË REJA KRIMINALE

Hetuesit amerikanë sapo kanë filluar të analizojnë dokumentet e sekuestruara në selinë e Konfederatës Futbollistike të Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibe në Maiemi

VOAL – Autoritetet e taksave dhe tatimeve kanë shpallur një fillim të menjëhershëm të procedimeve të reja në kuadrin e hetimit të gjerë për korrupsion, çka ka përfshirë si tërmet Federatën Botërore të Futbollit prej vigjiljes së kongresit ku u rizgjodh zvicerani Sepp Blatter.

Kështu bën të diturNew York Times duke iu referuar Richard Weberit, shef i sektorit hetimor, papërmendur emra të të hetuarve të rinj të mundshëm e pa sakësuar se a do të jetë i përfshirë edhe i rinkonfirmuari Joseph Blatter. Këtë të shtunë për RTS ky ka pohuar se është i shokuar nga akuzat e ngritura në SHBA dhe ka denoncuar “urrejtjen që vjen jo vetëm nga një njeri në UEFA por nga organizata UEFA e cila nuk ka kuptuar se më 1998 jam bërë president”.

“Besojmë fuqimisht se persona të tjerë dhe enitete të tjera janë përfshirë në akte kriminale,” ka pohuar shefi hetimor. Aktualisht është hapur proces ndaj nëntë drejtuesve të Federatës dhe pesë menaxherëve të kompanisë.  Kanë dalë në dritë deri tani raste korrupsioni në harkun e 24 viteve për 150 milionë dollarë në formë tangentesh. Janë zbuluar edhe skema komplekse të riciklimit, miliona dollarë të pataksuara në llogari offshore nga funksionarë të FIFA-S./ATS

SHBA E HEQ KUBËN NGA LISTA TERRORISTE

 

Shtetet e Bashkuara kanë hequr Kubën nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin, ka njoftuar Departamenti amerikan i Shtetit.

Ky hap është pjesë e procesit për normalizimin e marrëdhënieve midis dy armiqve të Luftës së Ftohtë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe ai i Kubës, Raul Castro, i kanë hapur derën normalizimit të marrëdhënieve në dhjetor të vitit 2014, me një shkëmbim të të burgosurve.

Embargoja tregtare e SHBA-së ndaj vendit komunist mbetet dhe mund të hiqet vetëm me vendim të Kongresit. rel

 

ZËRI I AMERIKËS – BAJDEN: SHBA QËNDRON ME UKRAINËN PËR TA LUFTUAR AGRESIONIN RUS

 

Nga Isabela Çoçoli

 

VOAL – Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë në krah të Ukrainës për të luftuar agresionin rus, që e ka vënë në rrezik sigurinë evropiane, tha nënpresidenti amerikan Xho Bajden të mërkurën.

Duke folur në Institutin Brookings në Uashington, Bajden tha se mbështetja ndaj Ukrainës është e rëndësishme për të ardhmen e vendit, për të ardhmen e sigurisë evropiane dhe për të ardhmen e rendit ndërkombëtar.

“Për sa kohë që udhëheqësit e Ukrainës do të vijojnë me projektin e reformës, SHBA do të vazhdojë të qëndrojë me ta,” tha Bajden. Sanksionet amerikane ndaj Rusisë duhen dhe do të vazhdojnë deri sa marrëveshja e Minskut të zbatohet plotësisht, shtoi Bajden.

Marrëveshja e Minskut, që u arrit në shkurt nga Franca, Gjermania, Rusia, Ukraina dhe separatistët pro-Rusi, bëri thirrje për një armëpushim dhe tërheqje të trupave të huaja dhe të armëve të rënda me qëllim arritjen e një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit në Ukrainë.

Fokusi i SHBA do të jetë direkt në trajtimin e tragjedisë humanitare krijuar nga agresioni rus, tha Bajden.

Është një nga fjalimet e formuluara më fuqishëm dhe me tone të forta nga ana e një zyrtarë i lartë amerikan, ku nënpresidenti tha se “Rusia po ndërmerr hapa për të minuar fqinjët e saj evropiane dhe për të forcuar pozitën e saj hegjemoniste”, të cilën Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi dënojnë fuqishëm.

Që prej marrjes së presidencës ruse, Vladimir Putin ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme, tha Bajden. Ai tha se Putin kishte treguar përbuzje për sovranitetin e fqinjëve të Rusisë, dhe për këtë arsye “bota duket më ndryshe sot se ajo  para se Putini të merrte presidencën… Sepse ka ndryshuar, prandaj është në fokusin tonë dhe ne do të vazhdojmë ta ekspozojmë Rusinë në botë. “

Bajden tha gjithashtu se vizioni i Putinit “ka shumë pak për t’i ofruar popullit rus, përveç miteve” dhe prandaj është i dënuar të dështojë. /VOA

ULRICH KÜHN – NATO KA DEFICITE NË MBROJTJE

Manovër nga ajri e NATO-s në Lituani

Në Europën veriore kanë filluar manovrat e përbashkëta të gjashtë vendeve të NATO-s me shtete neutrale. Eksperti i sigurisë, Ulrich Kühn flet mbi efektin dhe rëndësinë e kësaj manovre ushtarake.

DW: Zoti Kühn manovrat perëndimore konsiderohen “si nga më të zgjeruarat e llojit”. Sa rëndësi kanë ato?

Ulrich Kühn: Për këtë manovër ekzistojnë tre argumenta: Së pari: NATO kërkon t’i dërgojë një sinjal Putinit se aleanca si në aspkeitn ushtarak edhe politik e ka vullnetin që të respektojë detyrimet e saj për anëtarët e aleancës, pra edhe për tre vendet balltike. Së dyti: Me të dërgohet një sinjal tek partnerët lindorë, që aleanca është e gatshme t’i mbrojë ata në çdo kohë, edhe kundër një agresioni të mundshëm rus. Së treti: Trupat duhen stërvitur për sfida të reja ushtarake, si për shembull për stilin “hibrid” të luftës që po përdor Rusia në Krime dhe Ukrainën lindore. Në këtë drejtim duhet vepruar. Në këtë kuptim manovra mund të konsiderohet si shumë e rëndësishme.

Çfarë nënvizimi të ri merr kjo manovër, kur në të marrin pjesë edhe vende neutrale, si Finlanda, Suedia, apo Zvicra?

Duhet thënë se Finlanda dhe Suedia ndjehen të rrezikuara nga manovrat e fundit ruse. Kështu herë pas here gati shkelet hapësira ajrore nga aviacioni rus. Kështu ka zëra tani në Finlandë dhe Suedi që kërkojnë futjen në NATO. Kjo i sinjalizon Rusisë që ajo nuk perceptohet më si një partner i besueshëm, por si kërcënim serioz. Në tërësi mund të thuhet se vihet re një militarizim i ri i sigurisë europiane.

A nuk është disi qesharake deklarata zyrtare se bëhet fjalë për një stërvitje për një mision të OKB-së, kur çdokush e di se arsyeja e vërtetë është kërcënimi rus?

Këto manovra i drejtohen qartë Rusisë. Sinjali është: “Rusia po mpreh shpatën, por ne jemi gati”. Arsyetimi me një ushtrim relevant për OKB-në është thjeshtë fasada. Me sa duket nuk do t’i japë më njeri Putinit raste të tjera për propagandë mediatike. Sinjali ushtarak është shumë i qartë.

Deutschland Ulrich Kühn Institut für Friedensforschung und Sicherheitspolitik Uni Hamburg Eksperti Ulrich Kühn

Rusia nga ana e saj ka reaguar me demonstrim ushtarak. Janë këto manovra rruga e duhur për të vepruar me rrezikun që vjen nga Rusia, nuk tensionohen kështu edhe më shumë marrëdhëniet me Rusinë?

Këto manovra janë të justifikuara për gjendjen aktuale. Madje vetë koha, gjendja e brishtë mes emergjencës ushtarake dhe përgjegjësisë policore, kur “uniformat e gjelbra”, pra njësi speciale të paidentifikuara kalojnë në kufi, kërkon masa të reja dhe të përshtatshme. Njëra nga manovrat e NATO-s në Letoni lidhet pikërisht me një skenar të tillë. Mendoj se është gjëja e duhur t’i tregosh Rusisë se nuk ka asnjë shans të veprojë në vendet baltike ashtu si në Ukrainë. Por në plan afatgjatë dhe të mesëm NATO duhet të ndërtojë ura komunikimi me Rusinë. Pra, si në kohën e Luftës së Ftohtë: Nga njëra anë oferta serio´ze bashëkpunimi, nga ana tjetër gatishmëri realiste për mbrojtje. Për fat të keq është Rusia që prej më shumë se një viti po e rrotullon spiralen drejt shkallëzimit.

Sa të rrezikuara janë vërtet vende si ato baltike, Estonia, Letonia, Lituania apo vendet jo anëtare, si Suedia apo Finlanda?

E parë në mënyrë realiste, Rusia nuk mund t’i rrezikojë seriozisht tre vendet baltike, Estoni, Letoni, Lituani. Në rastin më ekstrem- një shkëmbim nuklear – SHBA duhet të jetë gati të “këmbejë” Bostonin, Nju Jorkun dhe Uashingtonin me Talinin, Rigën dhe Vilnën. Edhe pse ky qëndrim të duket shumë i ekzagjeruar, ai i përgjigjet logjikës së kërcënimit. Edhe Rusia e di këtë. Por në të njëjtën kohë ajo ia ka dalë me sukses të veprojë në një zonë gri, pa e kaluar pragun e një lufte të hapur. Në këtë pikë NATO ka deficite në mbrojtje, dhe tre vendet baltike e kanë vënë re me kujdes këtë mangësi në aleancën e përbashët. Këtu NATO duhet të përmirësohet.

A mendoni se Suedia dhe Finlanda do të bëhen pjesë e NATO-s?

Për Suedinë dhe Finlandën nuk shoh ndonjë kërcënim direkt rus. Por si në kohën e Luftës së Ftohtë të dyja vendet gjenden në hapësirën e influencës së Rusisë, gjë që i bën ato potencialisht objektiva të lojërave ushtarake. Por t’i bësh këto vende tani pjesë të NATO-s do të thotë të dërgosh një sinjal shumë të gabuar tek Moska. Edhe në këto vende nuk ka ndonjë shumicë që e kërkon këtë anëtarësim. Por opinionet politike mund të ndryshojnë shumë shpejt.

Ulrich Kühn është ekspert për marrëdhëniet mes NATO-s dhe Rusisë në Institutin për Studimet e Paqes dhe Politikën e Sigurisë në Universitetin e Hamburgut.

FIFA DHE SKANDALI I RI I KORRUPSIONIT

 

SHBA, Zvicër, akuza për korrupsion kundër zyrtarëve të FIFA-s

Në prani të drejtorit të FBI-së James Comey dhe shefit të hetimeve të Agjencisë amerikane Tatimore, IRS, Richard Weber, Prokurorja e Përgjithshme Loretta Lynch njoftoi akuzat dhe arrestimet e një grupi individësh në kuadër të një hetimi të gjatë lidhur me mitdhënie dhe korrupsion në botën e futbollit. Shtetet e Bashkuara kanë ngritur akuza kundër zyrtarëve të lartë aktualë apo të mëparshëm të organit që qeveris futbollin në shkallë globale.

Prokurorja e Përgjithshme, Loretta Lynch tha se ndër të akuzuarit ka individë që kishin përgjegjësi që nga mbështetja e lojës së futbollit në nivele lokale e deri tek organizimi i aktiviteteve globale:

 “Shumë nga individët dhe organizatat për të cilat bëhet fjalë, kishin mbi vete besimin për ta mbajtur futbollin të hapur për të gjithë. Ata kishin përgjegjësinë të rëndësishme në çdo nivel: për projekte që nga ndërtimi i fushave të futbollit për të luajtur fëmijët në komunitete, e deri tek organizimi i kampionatit botëror”.

Atyre u ishte besuar detyra për të zbatuar rregullat që garantojnë një futboll të ndershëm dhe ndeshje me integritet. Por ata e korruptuan biznesin e futbollit për interesa vetjake dhe përfitime monetare personale, u shpreh zonja Lynch.

Prokurorja e Përgjithshme tha se ka kërkuar ekstradimin nga Zvicra të nëntë individëve të arrestuar nga autoritetet zvicerane në kuadër të hetimeve. Departamenti amerikan i Drejtësisë, shtoi ajo, është i vendosur t’u japë fund këtyre praktika dhe të zhdukë korrupsionin në futboll. Ndër 14 individët ndaj të cilëve u shpallën sot akuza ka zyrtarë të lartë të FIFA-s, drejtues të organeve rajonale nën rrjetin e FIFA-s dhe drejtues të kompanive të marketingut, të cilët akuzohen se kanë paguar miliona dollarë për të siguruar privilegje marketingu gjatë aktivitetev sportive të organizuara nga FIFA.

Prokurorja e përgjithshme përmendi tre nga të akuzuarit, të cilët kanë rënë dakord të kthejnë 150 milionë dollarë, të siguruara përmes afereve korruptive.  Aktpadia, sipas zonjës Lynch, mbulon një aktivitet të paligjshëm që diktonte cilët kanale do të transmetonin ndeshjet, ku do të zhvilloheshin ndeshjet dhe kush do ta drejtonte organizatën.

Ndërkohë procesi hetimor nga autoritetet zvicerane e akuzon FIFA-n për parregullsi në zgjedhjen e vendeve organizatore për Kupat e 2018 dhe 2022. Në Zyrih janë arrestuar një numër zyrtarësh të organizatës. Megjithë akuzat, drejtori i komunikimit për FIFA-n thotë se kupat e 2018 dhe 2022 do të zhvillohen në Rusi dhe Katar, në përputhje me planet ekzistuese.

Në një konferencë për shtyp në Gjenevë, Drejtori i FIFA-s për Komunikimin Walter De Gregorio tha se gjithsesi ky është një zhvillim pozitiv për organizatën:

“Kjo është një gjë e mirë për FIFA-n. Nuk është mirë për imazhin e organizatës, por do të shërbejë pozitivisht për procesin e reformave”.

Presidenti i FIFA-s Sepp Blatter nuk është ndër zyrtarët e akuzuar. Ai ka në plan të paraqesë të premten kandidaturën për një mandat të ri në post.

Njoftimi është pritur me shok. Presidenti i ligës franceze të futbollit Frederic Thiriez tha se arrestimet ishin një goditje ndaj imazhit të ligës.

“Sot në mëngjes u shokova thellësisht, si të gjithë ju, si e gjithë bota. Mbi të gjitha ndjej një keqardhje të madhe për imazhin që i jep ky skandal futbollit. Mos harroni se lufta kundër korrupsionit në Francë është një ndër synimet parësore për mua, si në rastin e akuzave për manipulimin e rezultatit të ndeshjeve në Nim. Nëse vërtetohen akuzat për dhurata dhe korrupsion, do të ishte një situatë shumë serioze dhe dëshiroj që policia dhe drejtësia në Zvicër ta çojnë deri në fund procesin”.

Zoti De Gregorio tha se nuk do të ketë ndryshime në kampionatet e planifikuara, pavarësisht nga akuzat e ngritura. za

JACOBSON – KORRUPSIONI, SFIDA MË E MADHE E KOSOVËS

 

Ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson i bëri këto komente gjatë ceremonisë së diplomimit të 116 studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë.

Përfaqësues të institucioneve arsimore dhe organizatave ndërkombëtare, thanë sot në Prishtinë se Kosova ndodhet në një epokë të re të zhvillimit të saj si një faktor pozitiv politik dhe ekonomik në rajon, por ajo përballet me sfida të mëdha siç është lufta kundër korrupsionit.

​​

Ata i bënë këto komente gjatë ceremonisë së diplomimit 116 të studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë, një ndër institucionet e para të arsimit të lartë jo publik në Kosovë, i themeluar në vitin 2003.

Presidenti i këtij universiteti Winfred Thompson, tha se dita e sotme shënon mbylljen e një kapitulli dhe hapjen e një kapitulli të ri në jetën e të diplomuarve.“Çdo vend ka nevojë për talentet më të mira të reja dhe kjo vlen posaçërisht për vende të reja si Kosova ku e ardhmja premton shume por bart në vete edhe shumë rreziqe”, tha ai duke shfaqur shpresën që arsimimi në Universitetin amerikan e ka forcuar përkushtimin e të rinjve për të punuar jo vetëm për suksesin personal por edhe për përmirësimin e vendit dhe shoqërisë.

​Oratorët nënvizuan rolin e këtij Universiteti në një periudhë thelbësore për të ardhmen e Kosovës. Richard Lukaj, kryetar i Bordit të Universitetit i ndau mirënjohje ambasadores amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson për punën e saj në shërbim të një botë më të sigurt, më demokratike e përparimtare dhe në interes të popullit amerikan dhe komunitetit ndërkombëtar.

Ambasadorja amerikane vlerësoi arritjet e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, por tërhoqi vërejtjen edhe në sfidat që ndodhen para saj, duke vënë theksin tek korrupsioni.

Dua ta nënvizoj këtë çështje tani sepse korrupsioni sipas meje pas tre vjet qëndrimi këtu është sfida më e madhe me të cilën përballet ku vend”, tha ajo, duke u bërë thirrje të diplomuarve që të punojnë për të mirën e vendit të tyre, duke shfrytëzuar mundësitë dhe arsimimin e fituar në këtë universitet.

Universiteti Amerikan në Kosovë u themelua në vitin 2003 me synimin për të ofruar një edukim të cilësisë së lartë amerikane, për të rinjtë dhe të rejat e Kosovës. Por, gjatë këtyre viteve në këtë institucion kanë studiuar edhe të rinj nga vende tjera të rajonit. za

PRESIDENTI OBAMA KRITIKON ‘SJELLJEN AGRESIVE’ TË RUSISË

 

VOAL – UASHINGTON – Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama kritikoi qëndrimin “gjithnjë e më agresiv të Rusisë” ndaj Ukrainës, ku forcat qeveritare janë duke luftuar separatistët pro-rusë në lindje, qysh në prill të vitit të kaluar.

“Kemi pasur rastin të diskutojmë për situatën në Ukrainë dhe për sjelljen gjithnjë e më agresive që ka marrë Rusia”, ka thënë Obama, pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Shtëpinë e Bardhë.

Ai po ashtu i ka bërë thirrje Rusisë që “të ndalojë mbështetjen e separatistëve dhe të tërheqë të gjitha forcat e saj nga Ukraina”.

Vendet perëndimore dhe NATO-ja akuzojnë Rusinë se mbështet rebelët në Ukrainë me armë dhe trupa, por Moska i hedh poshtë këto akuza. rel

SHBA KRITIKON GJYKIMIN E GAZETARIT TË WASHINGTON POST

VOAL – UASHINGTON – Shtetet e Bashkuara kritikuan “mungesën e plotë të transparencës” në gjykimin e korrespondentit të gazetës Washington Post, Jason Rezaian, i cili u arrestua në Iran, gati dhjetë muaj më parë, nën akuzat që përfshijnë spiunazhin.

Zëdhënësja e Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Bernadette Meehan, i ka bërë këto komente sot, kur edhe ka nisur gjykimi me dyer të mbyllura i Rezaianit në Teheran.

“Përderisa bëjmë thirrje që ky gjykim të jetë i hapur, po ashtu theksojmë se Jason nuk do të duhej kur të arrestohej apo gjykohej”, ka thënë Meehan.

Rezaian, me shtetësi amerikane dhe iraniane, mund të përballet me 20 vjet burgim nëse shpallet fajtor.

Rezaian, i cili është shef i byrosë së gazetës WP në Teheran, ka qenë në burgun famëkeq Evin prejse është arrestuar në muajin korrik dhe raportohet se ka humbur 18 kg.

Ai është arrestuar së bashku me gruan e tij në shtëpinë e tyre në Teheran, por ajo është liruar me kusht dhe do të gjykohet ndarazi. rel


Send this to a friend