VOAL

VOAL

SHBA zgjeron sanksionet ndaj disa rusëve dhe disa ukrainasve

Shtetet e Bashkuara e kanë zgjeruar listën me njerëz dhe kompani të sanksionuara për veprime të drejtpërdrejta ose indirekte në konfliktin e Ukrainës lindore dhe në aneksimin e gadishullit Krimea.

Lista e publikuar sot nga Departamenti i Thesarit amerikan përfshin disa zyrtarë të lartë në “republikat popullore” te vetshpallura, Luhansk dhe Donetsk, rajone këto në lindje të Ukrainës të cilat në pjesën më të madhe kontrollohen nga separatistët.

Në listë janë edhe disa kompani të lidhura me biznesmenë rusë e të cilët kanë lidhje të ngushta me Kremlinin e presidentin Vladimir Putin. Në mesin e të sanksionuarve janë edhe biznesmeni i naftës Genadi Timchenko dhe miliarderët, Arkady dhe Boris Rotenberg.

Gati të gjithë të sanksionuarit kanë qenë të sanksionuar edhe në raundin e parë të sanksioneve, të shpallura nga presidenti Barak Obama, në 2014-ten.

Veprimet amerikane kanë ardhur pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga ana e Rusisë.

Në mesin e të sanksionuarve janë edhe disa ukrainasë, i tillë si Vitaliy Zakharchenko.

Departamenti i Thesarit tha se ai në cilësinë e ministrit të brendshëm, i ka thënë urdhër policisë gjatë protestave të Euromaidanit në Ukrainë.

Zëri i Amerikës: Departamenti Amerikan i Shtetit mbi kufirin Kosovë-Mali i Zi (Video)

Voal – Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e përcaktuar nga Komisioni Shtetëror i Kosovës për shënimin e kufirit është në pajtim me dokumentet dhe hartat e përdorura që nga vitit 1940 e deri më sot.

Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të ambasadës amerikane në Prishtinë, thuhet se “baza e Komisionit për shënimin e kufirit ka qenë Kushtetuta jugosllave e vitit 1974, e cila e ka definuar kufirin e Kosovës me anë të kufijve administrativë komunalë, që janë të ndarë në zona kadastrale. Kjo bazë e përcaktimit të vijës kufitare është përdorur edhe në Propozimin Gjithëpërfshirës të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisaarit dhe në Kushtetutën e vitit 2008 të Republikës së Kosovës”.

Në njoftim thuhet se pas një rishikimi të hartave që nga viti 1940 e deri më tani, përfshirë edhe ato që janë përdorur nga komisioni për përcaktimin e kufirit, Departamenti Amerikan i Shtetit “ka kuptuar se vija e përcaktuar së voni përputhet ngushtë me kufirin e definuar në Kushtetutën e vitit 1974. Kufijtë që ne i kemi përshkruar që nga viti 2008, përputhen në hollësi me kufirin e propozuar në vitin 2015”.

Në përfundim të njoftimit tërhiqet vëmendja se “përfundimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit është një kusht i BE-së për liberalizimin e vizave dhe është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane”.

Më 26 gusht, Kosova dhe Mali i Zi, nënshkruan marrëveshjen për shënimin e kufirit, e cila nxiti reagimet e partive opozitare në Kosovë, të cilat vlerësojnë se me të Kosova humbë rreth 9 mijë hektarë tokë.

Duke kundërshtuar këtë marrëveshje si dhe atë të arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, partitë opozitare  bllokuan punën e parlamentit që nga 22 shtatori, duke hedhur gaz lotsjellës.

Ato i kërkojnë qeverisë të anulojë marrëveshjet apo t’i hedh ato në referendum, në të kundërtën sipas tyre vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha pas deklaratës së departamentit të shtetit se një numër jo i vogël i ekspertëve të kësaj fushe, kanë gjetur parregullsi të mëdha në shënimin e kufirit me Malin e zi.

Në një komunikatë të kësaj partie thuhet se fakti që kjo çështje është një prej kushteve, për proceset integruese, nuk nënkupton se shënimi i kufirit duhet të bëhet “shkel e shko”. Ajo shpreh bindjen se janë bërë gabime jo të vogla edhe duke u marrë si kriter bazë, kriteri kadastral, që nuk mund të jetë kriter kryesor në shënimin e kufijve të shteteve. Aleanca thekson se do të ngulë këmbë që qeveria të caktojë një komision të ri të besueshëm, duke përfshirë edhe ekspertë ndërkombëtar, në mënyrë që t’i vihet pikë kësaj çështjeje. Askush nuk duhet të frikësohet nga përsëritja e një procesi të hollësishëm sepse gabimet gjithmonë janë të mundshme dhe në rastin konkret, është e qartë se ato janë bërë, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Qeveria u ka bërë thirrje partive opozitare që të hapin dialogun, ndërsa është zotuar se do të pres dhe do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe, zbatimi i së cilës është pezulluar në pritje të këtij vendimi. Ajo është shprehur e gatshme që duke përfshirë edhe ekspertë ndërkombëtarë, të diskutojë lidhur me shënimin e vijës kufitare më Malin e Zi.

Kriza politike bëri që edhe sekretari amerikan i shtetit John Kerry të bëjë thirrje kundër dhunës në parlament. Gjatë vizitës së dy dhjetorit në Prishtinë ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesnin asnjë marrëveshje “që do të kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat u hapën më 14 dhjetor, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor.

“Black Lives Matter” në vitin 2015

Lëvizja “Black Lives Matter”, “Jeta e zezakëve vlen” po përsërit thirrjet për t’i dhënë fund brutalitetit të policisë dhe po kërkon reformë në sistemin e drejtësisë penale në gjithë Shtetet e Bashkuara. Kjo lëvizje po përpiqet të ushtrojë ndikim tek opinion publik duke hedhur poshtë njëkohësisht kritikat se nuk ka sjellë ndryshime pozitive të mjaftueshme.

Ishte një apel që u përhap në gjithë vendin në vitin 2015. Mijëra përkrahës të lëvizjes “Black Lives Matter” po kërkojnë ndryshime themelore në sistemin e drejtësisë penale në vend.

Lëvizja e krijuar në vitin 2012, e ka rritur mbështetjen gjatë dy viteve të fundit, pas një sërë icidentesh me policinë që sollën si rezultat vdekjen e afrikano-amerikanëve të paarmatosur.

Aktivistët thonë se duan t’i japin fund asaj që ata e përshkruajnë si brutalitet i policisë dhe diskriminim racor në zona kryesisht të banuara nga zezakët.

Anëtari i “Black Lives Matter” Dennis Rodriguez thotë se lëvizja po zgjerohet.

“Kjo lëvizje na i ka hapur sytë për çdo gjë. Na ka ndihmuar të kuptojmë se megjithëse mund të duket se aktualisht nuk kemi force, frytet e punës sonë do të shfaqen së shpejti”.

“Black Lives Matter” e ka rritur profilin e saj përmes protestave dhe një fushate të fuqishme në mediat sociale. Lëvizja po bën presion ndaj ligjvënësve dhe kandidatëve të mundshëm presidencialë për të trajtuar shqetësimet e tyre. Ja ç’thotë aktivistja politike Elsie Scott.

“Na ka nxitur të flasim përsëri për reforma në polici, gjë që e kishim lënë mënjanë që pas 11 shtatorit 2001 kur ishim më të përqendruar tek siguria kombëtare sesa tek aktiviteti i policisë në komunitete”.

“Unë dua të bëj të gjitha përpjekjet që të parandaloj situata të tilla që shkaktojnë pasoja negative,” shprehet ky aktivist.

E.W. Jackson, një prift dhe aktivist konservator thotë se “Black Lives Matter” duhet ta vërë theksin edhe mbi vrasjet që ndodhin mes vetë afrikano-amerikanëve, jo vetëm tek vrasjet nga oficerët e policisë.

///E.W. Jackson///

“Kur paraqet një tablo sipas së cilës, të gjitja problemet e tua kanë të bëjnë me racën apo brutalitetin e policisë, mua më duket se po anashkalon çështje thelbësore”.

Por avokati dhe aktivisti Nkechi Taifa ka një mendim tjetër.

“Ne nuk po themi që jetët e tjera nuk kanë rëndësi. Do të thotë që në këtë moment të caktuar, duhet t’i kushtohet një vëmendje e veçantë atyre që janë prekur më shumë nga ligjet dhe politikat aktuale”.

Megjithatë, ish-oficeri i policisë Leon Threatt beson se “Black Lives Matter” ka qenë një lëvizje më shumë përçarëse sesa bashkuese.

“Nuk duhet të paraqitet si policia kundër komunitetit. Duhet të ndihmojë për të krijuar një mjedis apo platformë për bashkim të komunitetit, për t’i sjellë palët në tryezë që të krijohet besim”.

Udhëheqësit e “Black Lives Matter” thonë se organizata po punon për të ndërtuar marrëdhënie me departamentet e policisë. Ata thonë se do të vazhdojnë të organizojnë protesta për të nxjerrë në pah përplasjet vdekjeprurëse ose të dhunshme mes afrikano-amerikanëve dhe oficerëve të policisë.

Las Vegas – Një grua godet këmbësorët me makinën e saj

Një grua drejtoi makinën e saj në një trotuar plot me njerëz të dielën jashtë një kazinoje në Las Vegas, duke vrarë një dhe plagosur mbi 30 të tjerë në një veprim që policia po e heton si akt të qëllimshëm.

Drejtuesja e makinës është arrestuar ndërsa policia tha se po zhvillon hetime të hollësishme.

Kapiteni i policisë në Las Vegas Brett Zimmerman, tha në një konferencë me gazetarë të dielën vonë se derisa “terrorizmi” është përjashtuar, incidenti duket se ishte i qëllimshëm.

Në makinë ishte edhe një fëmijë 3 vjeç i cili ka shpëtuar pa lëndime.

Bëri deklarata kundër myslimanëve – Kandidatët demokratë e kritikojnë Trumpin

Hillary Clinton dhe Bernie Sanders gjatë një debati të mëparshëm të kandidatëve presidencialë demokratë

Kandidatët demokratë për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Hillary Clinton dhe Bernie Sanders, e kanë kritikuar kandidatin udhëheqës të republikanëve, Donald Trump, për thirrjen e tij për ndalesën e hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara.

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, tha se Donald Trumpi është “rekrutuesi më i madh për IS-in”, raporton BBC.

Kandidati Bernie Sanders, ka kërkuar falje nga rivalja Hillary Clinton për shkak se ekipi i tij kishte vjedhur të dhëna të vlefshme votuese nga ekipi i fushatës së zonjës Clinton.

“Kjo nuk është mënyrë e fushatës që ne e zhvillojmë”, tha Sanders gjatë debatit të kandidatëve presidencialë demokratë, mbrëmë vonë në Mançester të Nju Hempshirit.

Të dy këta kandidatë janë përplasur lidhur me Sirinë, derisa Sanders e ka akuzuar zonjën Clinton se ishte mbështetur në ndërrimin e regjimit, ajo theksoi se duhet lidership i Shteteve të Bashkuara.

“Nëse Shtetet e Bashkuara nuk udhëheqin, atëherë nuk ka lider tjetër, ekziston vakuum”, tha Clinton.

Sanders, nga ana tjetër, ka argumentuar se Shtetet e Bashkuara së pari duhet të koncentrohen që t’i shkaktojnë disfatë grupit militant, Shteti Islamik.

Në debat ka marrë pjesë edhe guvernatori i Merilendit, Martin O’Malley.

Konsiderohet se Hillary Clinton mbetet në pozitë udhëheqëse në mesin e kandidatëve demokratë.

Sekretari amerikan Kerry arrin në Moskë

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka arritur sot në Moskë të Rusisë.

Gjatë ditës së sotme ai pritet të takohet me residentin, Vladimir Putin, për të biseduar në lidhje me dhënien fund të luftës civile në Siri dhe rreth zbatimit të marrëveshjes së paqes në lindje të Ukrainës.

Vizita e zotit Kerry vjen përpara një raundi të ri të bisedimeve rreth Sirisë, ndërmjet fuqive botërore, që pritet të mbahet më 18 dhjetor në New York.

Kerry gjatë vizitës së tij në Moskë, sipas Kremlinit, do të takohet edhe me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, me të cilin gjatë ditës së djeshme e ka realizuar një bisedë telefonike.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj këmbëngulin se konform një rezulote për ndaljen e luftës pesë vjeçare, presidenti sirian Bashar al-Assad, nuk mund të qëndroj në pushtet, derisa Rusia e mbështet Assadin duke thënë se ai duhet të qëndroj në pushteti derisa populli sirian përmes zgjedhjeve do ta zgjedhë liderin e vet.

Presidenti Obama: Bota ka nevojë për zgjidhjen e krizës klimatike

Presidenti i SHBA Barack Obama theksoi se Marrëveshja e Parisit është pikë kthese në luftën kundër ndryshimeve klimatike

UASHINGTON – Presidenti i SHBA Barack Obama theksoi se Marrëveshja e Parisit është pikë kthese në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe se marrëveshja ka krijuar një kornize të qëndrueshme për të cilën ka nevojë bota në zgjidhjen e krizës klimatike.

Marrëveshja e Parisit e cila u përgatit për të parandaluar ndryshimet klimatike, u miratua nga ana e shteteve pjesëmarrëse të Konferencës së 21-të të Palëve për Ndryshimet Klimtike të OKB-së.

Presidenti amerikan i cili në Konferencë mori pjesë me anë të telekonferencës theksoi se në mbledhjen e mbajtur para dy javësh në Paris ka thënë se gjithë botës i kanë treguar se janë në prag të një hapi të rëndësishëm në parandalimin e ndryshimeve klimatike. “Para disa orëve arritëm sukses. Erdhëm së bashku tek një marrëveshjeje e cila i nevojitet botës”, tha Obama.

Ai e përgëzoi presidentin francez François Hollande dhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-mun, për lidershipin dhe për mikëpritjen në një samit të këtillë. Gjithashtu iu falënderua Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry dhe këshilltarëve në ekipin tij.

“Falënderoj përfaqësuesit e rreth 200 kombeve të cilët e bënë të mundur këtë marrëveshje. Së bashku treguam se çfarë mund të bëjmë nëse bota bashkohet”, tha Obama duke treguar se në 7 vitet e fundit është bërë lider global në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Presidenti amerikan tha se planin të cilin e kanë deklaruar vitin e kaluar së bashku me Kinën i ka inkurajuar edhe kombet tjera se marrëveshja e nënshkruar në Paris është bërë si rezultat i kësaj. “Asnjë shtet, pa marrë parasysh se sa forcë posedon, nuk mund ta zgjedh këtë problem vetëm. Dhe, asnjë shtet pa marrë parasysh se sa e vogël është nuk mund të jetë larg këtij problemi. Kështu që duhet të punojmë së bashku”, tha presidenti i amerikan.

Sipas tij, me këtë marrëveshje nuk mund të zgjidhen menjëherë të gjitha problemet meqë Marrëveshja e Parisit është e rëndësishme në drejtim të krijimit të një kornize të qëndrueshme për të cilën ka nevojë bota në zgjidhjen e krizës klimatike.

Ai duke bërë të ditur se marrëveshja është suksesi i shumë shteteve, tregoi se gjatë bisedimeve është punuar në transparencë dhe se zhvillimi i teknologjisë ka bërë të arritshme shumë qëllime.

“Kjo marrëveshje ka domethënie në reduktimin e ndotjes së karbonit i cili kërcënon planetin tonë dhe më shumë vende pune me anë të investimeve të karbonit të ulët”, tha Obama duke vënë re se me zbatimin e plotë të marrëveshjes rezultatet më të këqija të ndryshimeve klimatike mund të parandalohen.

SHBA: zjarr në një qendër islame

Authoritetet arritën në përfundimin se zjarri që shpërtheu të premten në një xhami në Kaliforni, ishte vënë qëllimisht, me sa duket si një akt për të shprehur urrejtje.

Incidenti ndodhi pak më tepër se një javë pas sulmit terrorist që kreu një çift i besimit islam në San Benardino të Kalifornisë.

Policia tha se i dyshuari për incidentin u identifikua dhe u ndalua pak pasi ra zjarri në ndërtesën e Shoqatës Islamike në Coachella Valley të Kalifornisë Jugore.

Zjarri shkaktoi dëme materiale, por jo lëndime mes njerëzve.

Senati: Diskriminimi në bazë të fesë, një akt anti-amerikan

Një komision i Senatit u është kundërvënë komenteve të Donald Trumpit duke mbështetur një masë që thotë se ndalimi i hyrjes së individëve në Shtetet e Bashkuara bazuar në besimin e tyre fetar do të ishte një akt anti-amerikan.

Pretendenti republikan Donald Trump bëri thirrje që t’u ndalohet hyrja myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, pas sulmeve në Kaliforni dhe Paris.

Komisioni i Senatit për Gjyqësorin votoi të enjten me 16 vota pro dhe 4 kundër për një amendament pa fuqi ligjore të propozuar nga senatori Patrick Leahy. Katër republikanët që votuan kundër përfshinin kandidatin presidencial Ted Cruz.

Senatori Leahy thotë se amendamenti dërgon “një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë se Amerika mirëpret njerëz nga të gjitha vendet dhe besimet”.

SHBA – Debati për luftën kundër Shtetit Islamik

Administrata Obama thotë se po shton presionin ushtarak ndaj militantëve të Shtetit Islamik, por se vazhdon të jetë kundër vendosjes së një force të konsiderueshme amerikane në territorin e Irakut apo Sirisë, megjithë aftësinë në rritje të ISIS-it për të frymëzuar sulme në territorin amerikan. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ash Carter dëshmoi për këtë çështje në Komitetin e Senatit për Forcat e Armatosura.

Pavarësisht sulmeve terroriste në Paris dhe në San Bernardino të Kalifornisë, sipas Sekretarit Carter, dërgimi i njësive tokësore ushtarake për të luftuar Shtetin Islamik do të ishte i gabuar.

“Duke i amerikanizuar konfliktet në Irak dhe Siri, mund të kthejmë kundër nesh edhe ata që janë të predispozuar të luftojnë ISIL-in.”

Kryetari i komitetit u përgjigj me padurim.

“Kërcënimi i ISIL-it për vendin tonë është real, i drejtpërdrejtë, dhe në rritje. Nuk po e fitojmë këtë luftë, dhe koha po punon kundër nesh.”

Sekretari Carter tha se SHBA po intensifikon fushatën kundër Shtetit Islamik nëpërmjet sulmeve ajrore dhe forcave speciale. Kreu i demokratëve në këtë komitet tha se forcat tokësore duhet të ofrohen nga aleatët e SHBA-së në rajon.

“Vendosja e njësive të shumta amerikane në territorin e Irakut dhe Sirisë mund të favorizojë direkt apo indirekt propagandën e ISIL-it.”

Dëgjesa u bë pak ditë pasi një ndër kandidatët kryesorë republikanë, senatori Ted Cruz, tha se Shteti Islamik duhet bombarduar deri në shfarosje. Ndërkohë, demokratët shprehën shqetësim për viktimat e mundshme në popullsinë civile, nëse kjo ndodh.

Sipas Pentagonit, ky lloj bombardimi masiv nuk është alternativë.

“Është e qartë prej strategjisë së ISIL-it se objektivi i tyre është të na përfshijnë në një luftë apokaliptike me Perëndimin. Nëse ne ushqejmë këtë lloj mendimi, atëherë kjo do të kthehej kundër sigurisë tonë kombëtare.”

Zoti Cruz nuk është tërhequr nga komentet e tij dhe e ka akuzuar administratën Obama për shmangie nga detyra në luftën kundër Shtetit Islamik.

Takimi Obama-Rivlin: Diskutohet ndihma ushtarake për Izraelin

Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë pas takimit Obama – Rivlin është diskutuar paketa e ndihmës ushtarake që do të realizohet për dhjetë vite me rradhë ndaj Izraelit

UASHINGTON (AA) – Presidenti amerikan Barack Obama ka pritur në Shtëpinë e Bardhë presidentin izraelit Reuven Rivlin.

Pas pritjes në Zyrën Ovale të dy liderët kanë dhënë deklarata të shkurtëra para takimit. Obama duke shprehur kënaqësinë që ka pritur Rivlin i cili ndodhet për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjes si president ka rikujtuar premtimet lidhur me sigurinë e Izraelit. Presidenti amerikan ka theksuar se kjo është një nga parimet më të rëndësishme në politikën e jashtme të SHBA-ve.

Ai ka thënë se në takim do të diskutojnë çështjen e stabilitetit në Lindjen e Mesme dhe se paqja në çështjen Izrael-Palestinë nuk është e mundshme në një kohë të afërt.

“Kam qenë i qartë në dënimin e dhunës në Izrael. Kjo dhunë duhet të dënohet edhe nga liderë si presidenti palestinez Mahmud Abbas. Ashtu siç duhet tu jepet fund nxitjeve gjithashtu është i nevojshëm një mekanizëm i cili do të çojë në paqe Izraelin dhe Palestinën. Në këtë fazë edhe pse një paqe serioze duket se është larg me rëndësi është të vazhdojmë tentativat”, deklaroi Obama.

Presdenti i Izraelit Rivlin tha se vendi i tij nuk ka mik tjetër më të madh se SHBA-të. Ai shprehu falënderimet për ndihmat financiare, diplomatike dhe ushtarake për Izraelin gjatë peridhës së presidencës së Obamës. Rivlin duke deklaruar se “nuk ndodhemi në luftë” ai tha se ata janë në luftë kundër atyre që përdorin besimet për të kërcënuar njerëzit e pafajshëm në botë.

Ndërsa në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë pas takimit të dy liderëve thuhet se Obama dhe Rivlin kanë diskutuar paketën e ndihmës ushtarake që do të realizohet për dhjetë vite me rradhë ndaj Izraelit. Gjithashtu, në deklaratë bëhet e ditur se dy liderët kanë diskutuar edhe luftën kundër organizatës terroriste DAESH si dhe çështjet rajonale, përfshirë edhe çështjen e Sirisë.

Protesta në New York kundër thirrjes raciste të Donald Trumpit

Në New York u mbajt një protestë e përbashkët kundër thirrjes që bëri biznesmeni dhe kandidati për president nga Partia Republikane Donald Trump

NEW YORK – Në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) u mbajt një protestë e përbashkët kundër thirrjes që bëri biznesmeni dhe kandidati për president nga Partia Republikane Donald Trump i cili kërkoi t’u ndalohet myslimanëve hyrja në vend. Në këtë protestë u dënua ashpër kjo thirrje e Trumpit dhe u kërkua dorëheqja e tij nga gara presidenciale.

Rreth 200 politikanë, përfaqësues të komuniteteve dhe liderë fetarë u mblodhën para ndërtesës së kryesisë së Bashkisë në New York për të dënuar propozimin e Trumpit i cili përfshin mbylljen e dyerve të SHBA për refugjatët.

Anëtarët e Këshillit të qytetit nën udhëheqjen e kryetarjes së këshillit të New Yorkut Melissa Mark-Viverito dhe një numër i madh i liderëve të religjioneve të ndryshme si dhe aktivistë të shoqërisë civile dënuan ashpër thirrjet raciste të Trump.

“Sot ndodhemi këtu për ti thënë njëzëri dhe qartë ‘mjaft tashmë’ Donald Trumpit dhe atyre që shprehin thirrje të tilla të urrejtjes dhe përçarjes”, tha Mark-Viverito.

Ajo e cilësoi Turmpin si një demagog racist që nuk ka asnjë lidhje me presidencën.

Më pas foli imami i Qendrës Islame të Universitetit New York i cili përfaqëson edhe komunitetin mysliman Halife Latif. Ai tha se duhet të shtypen zërat ekstremiste që vijnë së bashku dhe se injoranca e DAESH-it dhe Republikanëve nuk do të përbëjnë themel në një shoqëri ku ndryshimet janë së bashku. aa

Sekretari Kerry planifikon të vizitojë Rusinë javën e ardhshme

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry theksoi se gjatë vizitës së tij në Moskë dëshiron të takohet me presidentin e Rusisë Putin dhe me ministrin i Jashtëm Lavrov

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ka thënë se brenda javës së ardhshme planifikon të vizitojë Rusinë për të biseduar mbi krizën në Siri dhe Ukrainë.

Kerry të mërkurën në Paris tha se gjatë vizitës së tij në Moskë dëshiron të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin dhe me ministrin e Jashtëm, Sergey Lavrov për të zhvilluar bisedime për dy çështje mjaft të rëndësishme.

Nëse Kerry e realizon planin, atëherë me zyrtarët rusë do të takohet para 18 dhjetorit kur është caktuar takimi i madh ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara për Sirinë. Pritet që gjatë takimit në fjalë Këshilli i Sigurimit të OKB-së të miratojë rezolutën për bisedimet e paqes ndërmjet qeverisë siriane dhe opozitës.

Për Kerryn kjo do të ishte vizita e dytë në Rusi në këtë vit, sepse në maj ishte në Sochi ku u takua me Putin-in dhe Lavrov-in.  aa

Bideni: SHBA-të kurrë nuk do ta njohin aneksimin e Krimesë

Joe Bideni duke folur sot në Parlamentin e Ukrainës

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, u ka thënë anëtarëve të Parlamentit të Ukrainës se “Rusia po e okupon territorin sovran ukrainas” në Krime dhe e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare duke e aneksuar ilegalisht këtë gadishull në Ukrainë.

Mëtutje, në fjalimin e sotëm në Parlamentin e Ukrainës, zoti Biden tha se “bota po e shikon” Ukrainën dhe “luftën e saj kundër agresionit të ashpër të Kremlinit”.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara kurrë nuk do ta njohin” ankesimin e Krimesë nga Rusia dhe do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën kundër agresionit rus.

Zyrtari i lartë amerikan u tha ligjvënësve të Ukrainës se ata e kanë “një obligim ndaj atdheut të tyre për tu përgjigjur ndaj thirrjes së historisë” për ndërtimin e shtetit unik dhe të bashkuar demokratik që “qëndron gjatë kohës”.

Kjo është vizita e katërt e zotit Biden në Kiev, prej se Moska e ka aneksuar Krimenë e Ukrainës, në mars të vitit 2014, dhe prej se Rusia i ka mbështetur separatistët në pjesën lindore të Ukrainës.

Johnsoni: Nuk mund të diskreditohen të gjithë myslimanët pas sulmeve në Paris

“Brenda kushteve të cilat i kemi, diskreditimi i Myslimanëve ose detyrimi i tyre që të fshihen në këtë shtet nuk mund të jetë përgjigje”

UASHINGTON – Ministri i Sigurisë së Brendshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Jeh Johnsoni tha se nuk mund të diskreditohen të gjithë muslimanët pas sulmeve në Paris muajin e kaluar.

Ai në konferencën për mediat të organizatës joqeveritare Shoqëria Myslimane e Rajonit Dulles (ADAMS) selia e së cilës ndodhet një orë larg kryeqytetit Uashington tha se me myslimanët duhet të bashkëpunohet edhe më shumë se deri tani.

“Brenda kushteve të cilat i kemi, diskreditimi i myslimanëve ose detyrimi i tyre që të fshihen në këtë shtet nuk mund të jetë përgjigje”, deklaroi Johnson duke shtuar se myslimanët kanë rol të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit. aa

Barack Obama: Nuk jemi në luftë me Islamin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka bërë një adresim të rrallë nga Zyra Ovale, pas të shtënave të javës së kaluar në Kaliforni, të cilat kanë lënë të vrarë 14 veta.

Obama ka thënë se të shtënat “kanë qenë akt i terrorizmit, me qëllim vrasjen e njerëzve të pafajshëm.

…por, liria është më e madhe se frika”, ka thënë presidenti amerikan.

Ai është zotuar se Shtetet e Bashkuara do ta kapërcejnë kërcënimin në rritje nga terrorizmi, por ka thënë se “amerikanët nuk duhet të kthehen kundër njëri-tjetrit dhe të lejojnë që kjo luftë të përkufizohet si luftë midis Amerikës dhe Islamit”.

“Nëse jemi të suksesshëm në mposhtjen e terrorizmit, komunitetet myslimane duhet t’i përfshijmë në mesin e aleatëve tanë më të fuqishëm dhe jo t’i largojmë ata me dyshime dhe urrjetje”, ka thënë Obama, duke përkujtuar audiencën e tij se amerikanët myslimanë janë pjesë e shoqërisë së Shteteve të Bashkuara.

Obama ka thënë se terrorizmi ka hyrë në një fazë të re, nga sulmet në shkallë të madhe të Al Kaidës në sulme më pak të komplikuara të individëve të radikalizuar.

Ai është zotuar se Shtetet e Bashkuara do të luftojnë me çdo kusht grupin militant Shteti Islamik.

Obama ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë intensifikuar bombardimet kundër caqeve të këtij grupi dhe se do të vazhdojnë të trajnojnë dhe pajisin rebelët e moderuar në Irak dhe Siri.

“Ushtria jonë do të vazhdojë të ndjekë komplotistët terroristë në çdo vend, ku është e nevojshme”, ka thënë presidenti amerikan.

Në fjalimin e tij 13-minutësh, Obama i ka karakterizuar militantët e Shtetit Islamik si “banditë dhe vrasës”, duke shtuar: “Kërcënimi nga terrorizmi është i vërtetë, por ne do ta kapërcejmë atë”.

Javën e kaluar, Syed Rizwan Farook dhe gruaja e tij, Tashfeen Malik, kanë hapur zjarr në një festë të Krishtlindjeve në qytetin San Bernardino të Kalifornisë, duke vrarë 14 veta. Çifti më pas është vrarë nga policia.

I ashtuquajturi Shtet Islamik ka thënë se Farook dhe Malik kanë qenë mbështetës të tij, por nuk ka dhënë indikacione se vetë grupi ka qenë i përfshirë në organizimin e vrasjeve.

Obama ka thënë po ashtu se ka disa gjëra që mund të bëhen brenda Shteteve të Bashkuara, për të luftuar terrorizmin. Ai ka bërë thirrje këtu për kontroll më të rreptë të armëve.

Ky ka qenë adresimi i tretë i Obamës nga Zyra Ovale gjatë shtatë vjetëve në presidencë. Fjalimet e tilla janë të rezervuara për ngjarje me rëndësi kombëtare. Dy adresimet e mëparshme të Obamës, të dyja në vitin 2010, kanë përfshirë shpërthimin në platformën e gazit natyror Deepwater Horizon dhe fundin e operacioneve luftarake në Irak.

Fjalime të tjera të rëndësishme nga Zyra Ovale kanë bërë George W Bush pas sulmeve të 11 shtatorit, 2001; Ronald Reagan për shpërthimin në anijen kozmike Challenger më 1986; Richard Nixon kur ka njoftuar dorëheqjen e tij më 1974 dhe John F Kennedy për krizën kubane të raketave më 1962.

Presidenti Obama: Liria është më e fuqishme se frika

Presidenti Obama u zotua se Shtetet e Bashkuara do të  ndjekin  këdo që planifikon sulme kundër Amerikës, në përpjekje për të siguruar amerikanët pas sulmit në Kaliforni që ka ngritur pikëpyetje rreth atyre që radikalizohen brenda vendit.

Gjatë një fjalimi nga Shtëpia e Bardhë të djelën në mbrëmje,  Presidenti Obama iu përgjegj kritikave se ai nuk ka qënë i vendosur sa duhet për t’i mbajtur Shtetet e Bashkuara të sigurta nga grupi Shteti Islamik, por ai nuk ofroi ndonjë ndryshim radikal të strategjisë së tij,

“Kërcënimi nga terrorizmi është real, por ne do ta përballojmë atë”,  tha Presidenti Obama.

FBI-ja, tha presidenti, ende po mbledh të dhëna për atë që ndodhi javën e kaluar në San Bernandino. Nuk ka ende të dhëna që dy autorët ishin pjesë e një rrjeti më të gjerë terrorist, shtoi ai.

Terroristët, tha presidenti Obama, po kryejnë tani sulme “më pak të komplikuara”, si ai që ndodhi në Kaliforni.

Presidenti tha se “ne do ta shkatërrojmë grupin ISIL”. Ai premtoi se ushtria amerikane do t’i ndjekë terroristët në çdo vend që ata të fshihen.

 “Liria është më e fuqishme se frika”

Presidenti Obama tha se  ai i ka kërkuar Kongresit që personat në listën e të ndaluarve për të flutuar të mos kenë të drejtë të blejnë armë. Po ashtu ai kërkoi që të bëhet më e vështirë blerja e armëve luftarake.

Presidenti theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të hyjnë në një luftë  të gjatë me forca tokësore në Irak dhe Siri.

Kjo luftë, tha ai, nuk nuk mund të jetë një luftë midis Amerikës dhe Islamit. Kjo është pikërisht ajo që kërkon Shteti Islamik, tha ai.

Udhëheqësit muslimanë, tha presidenti, duhet të punojnë me ne për të kundërshtuar ideologjinë e urrejtjes, që al-Kaida dhe ISIS përhapin.  Ëahtë përgjegjësi e amerikanëve të të gjitha besimeve, tha ai, që  të mos bien pre e nocionit se amerikanët e besimit musliman duhet të trajtohen ndryshe nga të tjerët. Kjo i shkon për shtat Shtetit Islamik, tha ai.

Ne jemi në anën e duhur të historisëë  dhe ne do ta fitojmë luftën ndaj terrorizmit, tha presidenti Obama. Mos të harrojmë, përfundoi ai, se liria është më e fuqishme se frika.

Disa nga pikat kryesore të fjalimit të presidentit Obama:

-Kërcënimi terrorist ka evoluar në një fazë të re gjatë viteve të fundit.

-Duhet ta bëjmë më të vështirë për njerëzit që të blejnë armë të fuqishme luftarake si ato që u përdorën në Kalifroni.

-Kongresi duhet të miratojë përdorimin e forcës ushtarake kundër grupit ISIL

-Nuk duhet të futemi në një luftë të gjatë, të kushtueshme, me forca tokësore në Irak ose Siri

-Ne do ta shkatërrojmë grupin ISIL

-Nga përçarjet në radhët tona përfiton grupi ISIL

Obama në fjalimin javor: Nuk do të terrorizohemi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka shprehur përkushtim se hetuesit federalë do ta zbulojnë motivin, i cili ndikoi që një çift bashkëshortor në Kaliforni, t’i vrasë 14 persona, më 2 dhjetor.

“Ne jemi të fortë dhe të qëndrueshëm dhe ne nuk do të terrorizohemi”, tha presidenti Obama, gjatë fjalimit javor të shtunën.

Sulmuesja Tashfeen Malik (29 vjeçe) dhe burri i saj, Syed Farook (28 vjeç), ishin vrarë gjatë të shtënave me policinë të njëjtën ditë, pasi i kishin kryer vrasjet në San Bernardino.

“Është krejtësisht e mundshme që këta dy sulmues ishin radikalizuar për ta kryer këtë akt të terrorit. Nëse del se po, atëherë kjo do ta theksojë kërcënimin, në të cilin ne kemi qenë të fokusuar për katër vjet – në rrezikun e njerëzve që përfshihen nga ideologjitë ekstremiste të dhunshme”.

“Ne e dimë se ISIL-i dhe grupet e tjera terroriste, në mënyrë aktive po i inkurajojnë njerëzit, në gjithë botën dhe në vendin tonë, të kryejnë akte të tmerrshme të dhunës, në shumë raste si aktorë të vetmuar. Madje, derisa ne po punojmë për parandalimin e sulmeve, të gjithë ne, qeveria, agjencitë e zbatimit të ligjit, komunitetet, liderët fetarë, duhet të punojnë së bashku për të parandaluar që njerëzi të mos bëhen viktima të këtyre ideologjive urrejtëse”, theksoi Barack Obama.

Presidenti amerikan, në fjalimin e tij javor, të titulluar “Ne nuk do të terrorizohemi”, i publikuar nga Shtëpia e Bardhë, prek edhe çështjen e pajisjes me armë në Shtetet e Bashkuara.

“Ne ndoshta nuk do të jemi në gjendje ta parandalojmë secilën tragjedi, por së paku, t’i zvogëlojmë ato në minimum, ne nuk duhet ta bëjmë shumë të lehtë për terroristët dhe kriminelët potencialë, që të marrin armë në duar, të cilat mund t’i përdorin kundër amerikanëve”, shtoi Barack Obama.

Zyrtarët e agjencive të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara thanë se hetimet për të shtënat më 2 dhjetor në një agjenci të shërbimeve sociale në Kaliforni, me ç’rast u vranë 14 vetë dhe u plagosën 21 të tjerë, po zhvillohen si për një akt të terrorizmit.

Zyrtarët thanë se gruaja kishte deklaruar lojalitet ndaj grupit militant, Shteti Islamik, në postimet në mediat sociale.

E përditshmja Los Angeles Times ka raportuar se bashkëshorti Farook, po ashtu, kishte kontakt me së paku dy grupe militante, përfshirë Frontin Nusra, që është i ndërlidhur me al-Kaidën dhe grupin Shabab në Somali.

Drejtori i agjencisë FBI, James Comey, u tha reporterëve në Uashington se rasti është shndërruar në hetim federal të terrorizmit.

“Arsyeja për këtë është se hetimet e deritashme i kanë zhvilluar indikacionet për radikalizimin e vrasësve dhe inspirimin potencial nga organizatat e jashtme terroriste”, tha James Comey.

Sipas tij, nuk ka indikacione se çifti ishte pjesë e ndonjë celule ose rrjeti terrorist.

Nga ana tjetër, grupi ekstremist, Shteti Islamik, në një radio transmetim në Internet, tha se dy mbështetës të tyre e kanë kryer sulmin.

Mbështetësit e Shtetit Islamik, para disa ditësh, e sulmuan një qendër në San Bernardino, në Kaliforni”, raportoi radioja e grupit militant, al-Bayan.

Më herët, David Bowditch, ndihmësdrejtor i agjencisë FBI në zyrën në Los Anxhelos, tha se hetuesit ishin duke shikuar për “gjurmë të gishtërinjve digjitalë” në kompjuterë dhe në vende të tjera dhe se dy telefona mobil, pjesërisht të shkatërruar, janë gjetur në mbeturina të shisheve të zbrazëta, jo larg nga vendi ku janë kryer të shtënat, në agjencinë për shërbime sociale në San Bernardino, 100 kilometra në lindje të Los Anxhelosit.

Autoritetet thanë se Malik dhe Farook i kishin shkrepur më tepër se 75 karikatorë me plumba në një dhomë ku ishin sulmuar njerëzit në agjencinë sociale, ndërsa aty ku ishin vrarë sulmuesit, ishin gjetur 1,600 karikatorë.

Më vonë policia kishte gjetur edhe 12 bomba gypore, mjete për prodhimin e eksplozivit dhe më tepër se 4,500 karikatorë në shtëpinë që e kishin marrë me qira.

Ky çift bashkëshortor ishte vrarë disa orë më vonë, pas ndjekjes me vetura dhe luftës së ashpër me armë kundër policisë.

Malik ishte e lindur në Pakistan, dhe kishte ardhur në vitin 2014 në Shtetet e Bashkuara, me vizë të fejesës.

Farook ishte i lindur në Çikago, nga prindërit pakistanezë, dhe ishte rritur në pjesën jugore të Kalifornisë.

Ai punonte si inspektor shëndetësor. Para se të martohej me Farookun para dy vjetësh, Tafsheen Malik kishte jetuar në Arabinë Saudite.

Zyrtarët thanë se derisa vrasjet kanë mundur të jenë të inspiruara nga militantët e Shtetit Islamik, nuk ka dëshmi se ky grup radikal e ka udhëhequr këtë sulm.

Kjo vrasje në Shtetet e Bashkuara ka shkaktuar debat të ashpër për legjislacionin e mbajtjes së armëve dhe shkallën e lartë të vrasjeve masive nga sulmet me armë.

Po ashtu, janë shtuar shqetësimet se njerëzit e radikalizuar ose ata që janë mbështetës të Shtetit Islamik, mund të hyjnë në Shtetet e Bashkuara së bashku me refugjatët nga Siria ose nga vendet e tjera.

Ky ishte sulmi më vdekjeprurës prej vitit 2012 në Shtetet e Bashkuara.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Presidenti Obama mban sonte një fjalim të rëndësishëm për terrorizmin

Presidenti amerikan Barack Obama mban të dielën në mbrëmje një fjalim të rëndësishëm televiziv, me shpresën për t’i qetësuar amerikanët nga frika e sulmeve terroriste. Në fjalimin e Presidentit pritet të parashtrohet fushata e Shteteve të Bashkuara kundër “shtimit të kërcënimit nga terrorizmi”.

Presidenti po ashtu pritet t’i informojë amerikanët për të rejat më të fundit nga hetimi që po zhvillohet ndaj vrasjeve masive në Kaliforni javën e kaluar. Në atë sulm amerikano-pakistanezi Syed Rizwan Farook dhe gruaja e tij pakistaneze Tashfeen Malik vranë 14 persona dhe plagosën 21 të tjerë, pasi qëlluan me armë zjarri në një mbrëmje festive të zyrtarëve të qeverisë lokale në San Bernardino.

Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara Loretta Lynch, tha në një intervistë që dha të dielën televizionin NBC, se Presidenti Obama do t’i bëjë thirrje amerikanëve “të evidentojnë tiparet e tyre më të mira dhe të mos dorëzohen para frikës.”

Shtëpia e Bardhë tha se zoti Obama do të diskutojë të dielën në mbrëmje për natyrën e kërcënimit terrorist, “se si ai ka evoluar dhe si ne do ta mundim atë.”

Presidenti Obama pritet të përsërisë bindjen e tij të thellë se kryengritësit e Shtetit Islamik “do të munden dhe se Shtetet e Bashkuara duhet “të tregojnë vlerat dhe përkushtimin tonë të palëkundur ndaj drejtësisë, barazisë dhe lirisë, për të triumfuar ndaj grupeve terroriste që përdorin dhunën për të çuar përpara ideologjinë e tyre shkatërrimtare”.

Presidenti Obama do të flasë nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, prej nga presidentët amerikanë kanë mbajtur disa nga fjalimet më të rëndësishme. Hera e fundit kur Obama dha një fjalim nga Zyra Ovale, ishte në vitin 2010, kur ai njoftoi fundin e operacionit luftarak të trupave tokësore amerikane në Irak.

Ndërkohë, FBI-ja po i vazhdon hetimet për të zbuluar motivin e sulmeve të Kalifornisë.

Prokurorja Lynch tha se hetuesit po përpiqen “të mësojnë gjithshka” për çiftin, “se çfarë i shtyu ata të bëhen vrasës”. Ajo tha se autoritetet po gjurmojnë për të shkuarën e Malikit në Pakistan, marrëdhënien e saj me Farook dhe përse ata e kryen sulmin në qendrën qeveritare që ofronte shërbime për personat me probleme zhvillimi.

Por ajo shtoi se deri tani, hetuesit nuk besojnë se çifti ishte pjesë e një rrjeti më të madh terrorist.

Shtëpia e Bardhë: “Veprimet politike kundër myslimanëve nuk janë vlera amerikane”

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest deklaroi se presidenti i SHBA Barack Obama është i shqetësuar nga thirrjet politike kohëve të fundit në vend ndaj myslimanëve

UASHINGTON – Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest deklaroi se presidenti i SHBA-ve Barack Obama është i shqetësuar nga thirrjet politike kohëve të fundit në vend ndaj myslimanëve.

“Presidenti Obama vlerëson se kjo është në kundërshtim me vlerat amerikane”, tha ai.

Josh Earnest në konferencën për mediat iu përgjigj pyetjeve në lidhje me vlerësimet Obamas për deklaratat anti-myslimane në vend pas sulmit të armatosur në shtetin Kalifornia të SHBA-ve ku jetën e humbën 14 persona dhe sulmeve në Paris.

“Presidenti Obama ndan shqetësimet e tij në lidhje me thirrjet politike në muajt e fundit të cilat janë në mënyrë të neveritshme dhe të papërgjegjshme ndërsa në disa raste fanatike. Presidenti, mendon se kjo është në kundërshtim me vlerat amerikane”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.

ISIS komenton për sulmin në Kaliforni

Grupi terrorist Shtetit Islamik i ka përshkruar autorët e masakrës në Kaliforni si “mbështetës” të organizatës. Grupi i bëri komentet e para për vrasjen masive në Kaliforni të shtunën, në një transmetim në radio, por nuk tha se ishte drejtpërdrejt i përfshirë në kryerjen e sulmit. Ndërkohë, Byroja Federale e Hetimeve, FBI, po zgjeron hetimet ndaj çiftit të martuar, përgjegjës për sulmin në një zyrë të shërbimeve sociale në San Bernandino të Kalifornisë, pasi e përcaktoi sulmin si një akt terrorizmi.

Autoritetet thonë se Tashfeen Maliku në mediat sociale ka publikuar një mesazh, ku ka shprehur mbështetjen për grupin terrorist “Shteti Islamik”, por ajo nuk ka qenë drejtpërdrejt e lidhur me këtë grup terrorist. FBI-ja thotë se deri tani, nuk ka prova që e lidhin bashkëshortin e saj, Syed Rizwan Farook, me të, me një grup terrorist:

“Hetimet e bëra deri tani tregojnë për një radikalizim të vrasësve dhe frymëzimin e tyre të mundshëm nga organizatat e huaja terroriste”.

Por hetuesit ende nuk janë të sigurtë nëse çifti ka vepruar i vetëm, apo ka marrë udhëzime nga një grup i panjohur.

Gazetarët dje u lejuan të hynin në shtëpinë e çiftit, ku panë dhoma të  çrregullta, artikuj të lënë mbi një shtrat, duke përfshirë një Kuran, dhe sende të ndryshme për vajzën e tyre gjashtë muajshe.

“Është e dhimbshme. Nuk e di se si do ta marrim veten nga kjo gjendje”, – thotë kjo banore e qytetit Redlands.

Autoritetet thonë se kanë gjetur arsenal të madh municioni dhe materiale eksplozive në shtëpinë e çiftit, pasi ata vranë 14 njerëz dhe plagosën 21 të tjerë të mërkurën, gjatë një feste në vendin e punës së Sayed Farook-ut.

Të dy u vranë gjatë një shkëmbimi me armë zjarri me policinë, ndërkohë që po përpiqeshin të arratiseshin me një makinë që e kishin marrë me qira.

Në xhaminë që frekuentohej nga Sayed Farook-u, njerëzit kanë patur përshtypje tjetër për njeriun që është përgjegjës për një krim kaq të urryer.

“Ndjehem i lënduar sepse kam ardhur këtu para 25 vjetësh dhe pothuajse të gjithë në komunitet më njohin, por asnjëri nuk ka patur një lidhje personale me mua si ai. Unë kam numrin e tij të telefonit. Gjithmonë më pyeste se si jam dhe nëse kam nevojë për ndonjë gjë”, – thotë Nizaam Ali.

Veprimet e Syed Farook-ut janë enigmatike edhe për bashkëshortin e motrës së tij dhe kolegët e tij të punës, disa prej të cilëve janë ende të shokuar nga vrasjet masive dhe deri tani për mungesën e motivit të tyre.

Presidenti Barack Obama tha sot në fjalimin e tij të përjavshëm se pavarësisht nga masakra, “Ne do të ruajmë vlerat tona të një shoqërie të lirë dhe të hapur. Ne jemi të fortë dhe të vendosur dhe nuk do të frikësohemi”.

SHBA: Vrasjet në Kaliforni – akt terrori

Pamje nga hetimet afër një veture ku ka pasur të shtëna të sulmuesve me policinë me ç’rast sulmuesit janë vrarë

 

Zyrtarët e agjencive të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara thonë se hetimet për të shtënat më 2 dhjetor në një agjenci të shërbimeve sociale në Kaliforni, me ç’rast u vranë 14 vetë dhe u plagosën 21 të tjerë, po zhvillohen si për një akt të terrorizmit.

Zyrtarët thanë se gruaja, e cila së bashku me bashkëshortin e saj, është e dyshuar për involvim në masakër, kishte deklaruar lojalitet ndaj grupit militant, Shteti Islamik, në postimet në mediat sociale.

Policia e ka identifikuar gruan si Tashfeen Malik dhe burrin e saj me emrin, Sayed Farook.

E përditshmja Los Angeles Times ka raportuar mbrëmë se bashkëshorti Farook, po ashtu, kishte kontakt me së paku dy grupe militante, përfshirë Frontin Nusra, që është i ndërlidhur me al-Kaidën dhe grupin Shabab në Somali.

Drejtori i agjencisë FBI, James Comey, u tha mbrëmë reporterëve në Uashington se rasti është shndërruar në hetim federal të terrorizmit.

“Arsyeja për këtë është se hetimet e deritashme i kanë zhvilluar indikacionet për radikalizimin e vrasësve dhe inspirimin potencial nga organizatat e jashtme terroriste”, tha James Comey.

Lutje për viktimat në San Bernardino

Banorë në San Bernardino të Kalifornisë u mblodhën mbrëmë për t’u falur dhe kujtuar viktimat e masakrës së 2 dhjetorit ku gjetën vdekjen 14 vetë dhe u plagosën 21 të tjerë.

Zyrtarët thonë se ende nuk i dinë motivet e çiftit Syed Rizwan Faruk dhe Tashfeen Malik për të hapur zjarr në një ndërtesë zyrash.

Sipas njoftimeve Faruku u largua nga një festë që po organizohej në zyrat ku punonte, pasi pati një zënkë me një koleg. Ai u kthye më pas së bashku me të shoqen, të dy të veshur me rroba luftarake, dhe të pajisur me pushkë e revolverë.

Policia zbuloi 12 bomba artizanale, pajisje për të prodhuar bomba dhe një sasi të madhe municioni në apartamentin e çiftit.

Dy të dyshuarit u vranë në një shkëmbim zjarri me policinë në San Bernardino, jo larg vendit ku ndodhi masakra.

SHBA i lejon gratë në të gjitha rolet luftarake

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter, ka bërë të ditur se të gjitha rolet luftarake në ushtrinë amerikane do të jenë të hapura edhe për gratë.

Ai ka thënë se ky proces do t’iu mundësojë grave që të garojnë për 220,000 vende shtesë të punës brenda ushtrisë.

Carter ka thënë se vendimi do të hyjë në fuqi pas një periudhe të pritjes prej 30 ditësh, ashtu siç kërkohet me ligj.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali Joseph Dunford, ka thënë se në Korpusin e Marinës, gratë duhet të mbahen jashtë disa roleve të caktuara.

Ai ka cituar studimet që tregojnë se përzierja gjinore nuk është edhe aq efektive.

Por, Carter i ka hedhur poshtë argumentet.

“Nuk do të ketë përjashtime”, ka thënë ai.

“Nëse kualifikohen dhe i plotësojnë standardet, gratë do të mund të kontribuojnë në misionin tonë… Ato do të lejohen të vozisin tanke, të hedhin mortaja…”, ka shtuar Carter.

Trump: Për të mposhtur ISIS-in, terroristëve t’iu goditen familjet

Donald Trump mendon se, ka vetëm një mënyrë për t’i mposhtur terroristët e ISIS-it, e ajo është: t’iu goditen familjet.

Pretendenti për nominimin republikan në Presidencialet e vitit 2016 është i bindur se, një plan i tillë, sado i pamëshirshëm të tingëllojë, mund të funksionojë vërtet.

“Si kujtoni ju? Nuk iu dhimbsen atyre njerëzit e afërt?”, pyeti Trump në një emision televiziv.

Miliarderi u duk se i kishte idetë e qarta për mënyrën sesi duhet luftuar ISIS’i.

“Ky grup terrorist duhet mbytur me bomba, tha ai, transmeton Tch.

“Të ishte për mua, do t’i sulmoja aq fort sa nuk janë sulmuar ndonjëherë më parë. Përpos kësaj, është shumë e rëndësishme të godasim burimin e tyre më të rëndësishëm të të ardhurave, naftën”, theksoi.

Republikani sqaroi më tej se, pavarësisht faktit që do të përpiqej t’i asgjësonte militantët e familjarët e tyre, sërish do të bënte të pamundur për të shmangur viktimat mes civilëve të thjeshtë, në zonat e njohura si fortesa të ISIS-it në Siri e Irak.

“Por një nga problemet më të mëdha që kemi për momentin, dhe arsyeja përse jemi kaq joefikasë në sulmet tona, është se civilët në ato vende po përdoren si mburoja njerëzore. Është e tmerrshme, – vazhdoi Trump.

Megjithatë duhet të them se politikisht, lufta jonë është shumë korrekte”.

Njeriu që kryeson garën e nominimit në kampin republikan u tregua mjaft kritik ndaj strategjisë së Presidentit Barack Obama kundër Shtetit Islamik, për të cilin argumenton se ka dërguar shumë pak trupa, ndërsa nga ana tjetër i ka zbuluar më tepër se ç’duhet lëvizjet e tij.

“Nëse kë ndonjë gjë për të bërë, bëje!,tha Trump.

S’ke pse flet aq shumë, sidomos në një situatë si kjo, kur nuk ka nevojë për fjalë, por për veprime”.

Sulmi në Kaliforni, reagon Obama: Ende nuk dihen arsyet, FBI po investigon

Një ditë pas sulmit në qendrën e trajnimit në San Bernardino ka reaguar persidenti i Shteteve të Bashkuar të Amerikës Barack Obama i cili nënvizoi se ende nuk dihen arsyet e këtij sulmi.

Obama tha se nuk dihet nëse sulmi në Kalirfoni është bërë për arsye të cilat lidhen me terrorizmin por shtoi se FBI-ja po vijon hetimet.

“Është ende herët për të folur nëse ky sulm në Kaliforni është akt terrorist. Ne e dimë që dy personat të cilët u vranë ishin të paisur me armë dhe mund të ketë qasje edhe për armatime shtesë në shtëpit e tyre. Nuk dihet arsyeja se përse këta agresorë e bënë atë veprim ndërsa FBI po heton këtë ngjarje”, u shpreh Obama.

Ky është sulmi i 17 që kur Obama u bë president i SHBA-së.

Ekzekutohen autorët e masakrës në SHBA, burrë e grua me origjinë arabe

Ja profilet. FBI dyshon për sulm terrorist

*Babai i killerit: Djali im ishte shumë besimtar, falej kur kthehej nga puna
*Kolegu: Farook shkoi për një muaj në Arabi, u kthye i martuar

SHBA- Policia amerikane ka asgjësuar dy personat përgjegjës për masakrën e djeshme në një qendër sociale për persona me aftësi të kufizuara në San Bernardino, në Kaliforni.

Bëhet fjalë për një burrë dhe grua, çift me origjinë arabe. Vrasësit janë Rizwan Syed Farook, 28-vjeç, qytetar i vjetër amerikan dhe zyrtar i qarkut në Inspektoratin e Shëndetësisë dhe Tashfeen Malik, 27 vjeçe. I perfshire dyshohet dhe vellai i Farook, sipas mediave amerikane. Ndonëse ende nuk dihen motivet e kësaj masakre të rëndë që numëron 14 viktima dhe 17 të plagosur, FBI ka dyshime të forta se mund të bëhet fjalë për një akt terrorist. “Nuk mund të përjashtojmë mundësinë e një sulmi terrorist”,- kanë thënë burime të FBI.

Sipas mediave, çifti arab e kishte planifikuar sulmin. Të dy të armatosur rëndë hapën zjarr në një sallë të qendrës për personat me aftësi të kufizuar, të cilët po festonin Krishtlindjet.

Vrasësit kanë gjuajtur për 30 sekonda, pastaj u ndalën për tu furnizuar me municion dhe kanë goditur përsëri. Me të vënë re ardhjen e forcave të policisë ata janë larguar me një makinë të zezë. Policia lokale dhe skuadrat xheniere arritën të shpërthenin një pako të dyshimtë në ndërtesë, ndërsa kanë gjetur edhe eksploziv në një pjesë tjetër të ndërtesës.

Për të gjetur killerat, policia mori sinjalizimet e duhura që e çuan në një adresë në qytetin e Redlands, në San Bernardino County, aty ku ishte parë makina me të cilën u arratisën autorët e masakrës.

Më pas nisi një ndjeke live e policisë, pamjet e së cilës u transmetuan në televizionet amerikane. Çifti ka bërë rezistencë, ka hapur zjarr dhe madje ka hedhur nga makina disa mjete shpërthyese, por policia e ka ndjekur duke e bërë makinën shosh nga plumbat dhe duke vrarë dy autorët.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagos edhe një polic, por gjendja e tij nuk është serioze. Të dy vrasësit janë Rizwan Syed Farook, 28-vjeç, qytetar i vjetër amerikan dhe zyrtar i qarkut në Inspektoratin e Shëndetësisë dhe Tashfeen Malik, 27 vjeçe. Edhe pse nuk ishin të martuar, thuhet se çifti me origjinë arabe kishin edhe një djalë gjashtë muajsh.

Babai i Farook ka deklaruar se ishte i tronditur për përfshirjen e mundshme të djalit të tij në masakër. Ai tha për New York Daily News se i biri “ishte shumë fetar, shkonte në punë dhe pastaj kur kthehej, falej. Është një mysliman”, shtoi ai. Ndërkohë, mësohet se Farook në pranverë kishte shkuar në Arabinë Saudite për rreth një muaj dhe u kthye në Shtetet e Bashkuara i martuar. Të paktën kështu ka deklaruar një kolegu i tij, Patrick Baccari.

Kontradikta e çuditshme e Syed Farookut, vrasësit të Kalifornisë
Vrasësi i Kalifornisë kish qenë në Arabinë Saudite. Ishte kthyer me gruan, që e kish njohur online. Person i rezervuar dhe i edukuar, Syed Farook në dukje nuk ushqente pakënaqësi ndaj askujt. Mysliman, në vendin e punës nuk fliste kurrë për fenë.

Dalin detaje të reja mbi dy personat përgjegjës për sulmin në San Bernardino të kalifornisë, që u mori jetën 14 personave. Syed Farook (28 vjeç) kishte lindur në Amerikë dhe ishte i besimit mysliman. Kohët e fundit kishte qenë në Arabinë Saudite, dhe ishte rikthyer pasi ishte martuar me një grua që e kishte njohur në internet, Tashfeen Malik (27 vjeçe). Ky detaj bën të mendohet se mund të ketë patur dhe një motivim ekstremizmi fetar, ngjarja e djeshme në Kaliforni. Megjithatë, për momentin nuk është asgjë e konfirmuar. Çifti kishte një fëmijë gjashtë muajsh. Mëngjesin e sulmit e kishin lënë beben me gjyshen. Këto hollësi i janë dhënë rrjetit amerikan CNN nga drejtori i Këshillit për Marrëdhëniet Islamike Amerikane në Los Angeles, i cili ka folur edhe për tronditjen që ka pësuar familja Farook, e cila nuk arrin dot të shpjegojë se ç’mund t’i ketë shtyrë dy të rinjtë që të kryejnë këtë vepër kriminale.

Edhe dy kolegë të punës, të mbijetuar gjatë sulmit për shkak se ndodheshin në banjë në momentin kur nisën të shtënat, e kanë përshkruar Farookun si një person të rezervuar dhe shumë të edukuar, që dukej se nuk ushqente pakënaqësi apo mëri ndaj askujt. Farook ishte mysliman, por në punë fliste shumë rrallë për fenë e tij, siç bën të ditur Christian Nvadike dhe Patrick Baccari, një tjetër inspektor sanitar që ndante zyrën me Farookun. Dukej se “jetonin ëndrrën amerikane’, kanë shtuar kolegët. Një ëndërr që përfundoi me gjakderdhje.

Zuckerberg fushatë pro-emigracion, kundër Donald Trumpit

VOAL – NEW YORK, 2 DHJETOR – Themeluesi i Facebookut Mark Zuckerberg ndërmerr një fushatë të re në favor të reformës së emigracionit në SHBA, shkruan Voice Of Albanians – voal.ch. Në kuadrin e zgjedhjeve grupi i tij ‘Fwd.us’ bën një fushatë që kushton 10 milionë dollarë 12 Shtete kundër deputetëve dhe senatorëve që iu kundërvihen masave të reja, në krye të së cilës është Donald Trumpi, kandidat në primaret republikane për SHBA 2016.

Synimi është të nxisë për një rishikim të ligjit mbi emigracionin. ansa

Shtëpia e Bardhë e mbron Erdoganin: rusët të merren me Asadin

VOAL – NEW YORK, 2 DHJETOR – “Në qoftë se rusët janë të shqetësuar për naftën e ISIS-it, atëherë të merren me Asadin, konsumatorin më të madh.” Kështu thotë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, pas akuzave të Moskës, sipas së cilës Erdogani “dhe familja e tij” janë përfshirë “në trafikun e paligjshëm të naftës” me Shtetin Islamik. ansa

Të shtëna në Kaliforni, të paktën 20 viktima

Policia në Kaliforni është duke ndjekur një rast të të shtënave masive.

Raportohet për së paku njëzet viktima.

Departamenti i Zjarrfikësve në San Bernardino ka shkruar në Twitter se është duke iu përgjigjur një “incidenti të të shtënave me 20 viktima”.

Është ende një “skenë shumë aktive” dhe policia po bën përpjekje të sigurojë ndërtesën, ka thënë në anën tjetër një zëdhënëse e Departamentit të Policisë.

Sipas saj, mund të jenë tre persona të armatosur me armë të rënda. Ajo nuk e ka konfirmuar numrin e viktimave.

SHBA: Një forcë e re kundër ISIS-it vendoset në Irak

Ashton Carter gjatë një konference për shtyp në Pentagon

Shtetet e Bashkuara po e zgjerojnë përfshirjen e tyre në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik (IS) në Irak dhe do ta vendosin “një forcë shënjestruese ekspedituese” për t’i ndihmuar forcat lokale.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Ashton Carter, sot ka paraqitur pak detaje, por gjatë dëshmisë së tij në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, theksoi se kjo forcë do të jetë e aftë për të ndërmarrë ndërhyrje në Siri dhe Irak.

Derisa zoti Carter dhe komandanti ushtarak amerikan, gjenerali Joseph Dunford, janë ballafaquar me pyetje të ashpra të anëtarëve të komitetit, ata kanë paraqitur një pikëpamje optimiste për luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Afro 3,500 ushtarë amerikanë janë në Irak dhe aktualisht u kanë ndihmuar luftëtarëve kurdë në Irak dhe njësive të tjera, që ta kthejnë kontrollin në qytetin Sinxhar, i cili ishte okupuar nga militantët e Shtetit Islamik.

Zoti Carter tha se kjo “forcë shënjestruese ekspedituese” do të ndërmarrë aksione, shpëtim të të rrëmbyerve, mbledhje të informacioneve dhe do të synojë t’i zërë ose vrasë liderët e grupit ekstremist, Shtetit Islamik, i cili ka okupuar territore të gjëra në Irak dhe Siri.

SHBA: Rusia të sulmojë ISIS-in, jo opozitën siriane

Uashingtoni zyrtar i ka bërë thirrje Moskës që në kuadër të operacioneve ajrore në Siri të mos godasë opozitën siriane, por organizatën terroriste ISIS

UASHINGTON – Uashingtoni zyrtar i ka bërë thirje Moskës që në kuadër të operacioneve ajrore në Siri të mos godasë opozitën siriane, por që në sulmet e saj të ketë në shënjestër organizatën terroriste ISIS.

“Është më se e qartë se Rusia kryen operacione të shpeshta në Siri dhe gjatë këtyre sulmeve godet opozitën e matur dhe kjo ndodhë në ato territore ku nuk ka fare prezencë të ISIS-it”, deklaroi zëdhënësja e Departmentit amerikan të Shtetit, Elizabeth Trudeau.

Duke përsëritur thirrjen që Rusia të godasë vetëm caqe të ISIS-it, Trudeau tha se në atë rast do të çmohej kontributi i Moskës në luftën kundër terrorizmit.

Moska zyrtare këmbëngul se në Siri kryen sulme ajrore mbi pozitat e ISIS-it, por SHBA-të dhe aleatët nga ana tjetër akuzojnë Rusinë se po sulmon caqe të opozitës siriane dhe se përkrahë regjimin e presidentit Bashar al-Assad.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, forcat ajrore ruse nga 30 shtatori deri më 4 nëntor kanë kryer 1.631 fluturime mbi Sirinë duke goditur 2.084 caqe. aa

Arrestohet një person në Shtëpinë e Bardhë

Një njeri i mbështjellë në një flamur amerikan ka kërcyër mbi rrethojën në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Presidenti amerikan Barak Obama dhe familja e tij ishin brenda, duke festuar Ditën e Falenderimeve.

Personi është kapur shpejt nga agjentët e shërbimit sekret dhe tani do të përballet me akuza për vepër penale, thanë raportet.

Të paktën dy incidente të tjera të ngjashme kanë ndodhur këtë vit që çon në rritjen e masave të sigurisë.

Sot Amerika feston Thanksgiving Day – Presidenti Obama fali “Honest” dhe “Abe”

Voal-online – „Thanksgiving Day” – „Dita e Falenderimeve“ është ndër festat  më popullore , për të mos thënë më popullorja   në Amerike dhe është bërë  zakon te  festohet  të ejten e katërt  të muajit nëntor, pra sot.

Është historia e një dite të ftohtë në fund të vjeshtës në vitin 1621, kur rreth 50 kolonë anglezë të quajtur pelegrinë të cilët kishin mbijetuar me vështirësi pas dimrit të parë në Botën e Re, ndërsa 50 të tjerë vdiqën morën pjesë në një festë për të korrat me fqinjët e tyre indianët e fisit Wampanoag.

Kjo traditë, me origjinë fetare, por që sot konsiderohet sekolare, vjen prej vitit 1620. Pas të vjelave të vitit 1623, William Bradford, Governatori i Kolonisë themeluar nga baballarët pelegrinë në Plymouth, të Massachusettes, shpalli : « Të gjithë ju Pelegrinë, me gratë e të vegjlit tuaj, ju ftojmë të vini e të bashkoheni me ne në Pallatin e Parlamentit mbi kodrinë për të degjuar pastorin që t’i thurë lavde e falenderime Zotit të Plotfuqishëm për mrekullitë e tij. ».

Aty ku pelegrinët dhe indianët shënuan të korrat mbi 300 vjet më parë, historia e Falenderimeve është e mbushur me mithe dhe teprime. Për shembull, ngjarja ka mundësi të ketë ndodhur në tetor, më pranë kohës së korrjes së misrit, rreth 90 burra vendas u mblodhën dhe hëngrën me Pelegrinët për tre ditë me radhë.

Pelegrinët ishin separatistë fetarë, një degë që ishte shkëputur nga një sekt strikt i quajtur puritanët, që paraqiten si një grup i ngurtë dhe jo shumë i prirur për festa.

Ata ishin njerëz shumë besimtarë në kohëra shumë fetare. Megjithatë ata vinin nga Anglia e vjetër dhe e bujshme. Ishte pjesë e jetës së tyre që të pinin, hanin dhe të festonin. Nuk diskutohet që ata nuk ishin krejtësisht njerëz që nuk dinin ç’ishte gëzimi”

Në dokumentat e pakta të vitit 1621 thuhet se në tryezë ishin shtruar shpezë, ka mundësi që të ishin rosa dhe pata dhe pa dyshim që nuk ishin gjela deti të shëndoshë që familjet amerikane mbushin dhe pjekin sot. As ilustrimet e tavolinave të gjata të ditës së parë të falenderimeve plot me bukë, kek me kunguj dhe salcë boronicash.

Anglezët i njihnin boronicat. Dhe anëtarët e fisit Wampanoag i hanin. Por ata nuk kishin aq sheqer sa të bënin salcë. Kunguj kishte, por nuk besohej se mund të bënin kek me kunguj, pasi nuk kishte miell gruri dhe furrën për ta pjekur.

Ka plot  rrëfenja nga koha e të korrave në vitin 1621. Thuhet se Wampanoagët gjuajtën pesë drerë për festën. Por ndryshe nga ç’thuhet në legjendë, ata nuk sollën kokoshka, një lloj misri që nuk ekzistonte në Masaçusets. Ata gjithashtu nuk vishnin kapele me pupla si ato të Indianëve të tjerë. Veshjet e tyre ishin të thjeshta dhe praktike. Pra nuk kishte një fantazi edhe më të madhe të Falenderimeve.

Sipas mitit të krijuar, indianët i mirëpritën anglezët në tokën e tyre, hëngrën gjel deti dhe që atëherë jetuan së bashku në harmoni dhe se bëhej fjalë për festën e parë të Falenderimeve, e para e pasuar nga shumë të tjera më pas. Ideja është që vendasit e pranuan kolonizimin me dëshirë gjë që nuk është e vërtetë.

Aleanca mes Pelegrinëve dhe Wampanoagëve zgjati vetëm 50 vjet para se traktatet e shkelura sollën si rezultat luftimet dhe gjakderdhjen.

Ka edhe një imazh tjetër të Festës së Falenderimeve që është shumë larg realitetit. Nëpër skica, burrat shfaqen me kostume pelegrinësh: pallto luksoze, këpucë me shkëlqim dhe kapele me rripa me tokëza. Në shekullin e 17-të vetëm të pasurit visheshin me aq ceremoni. Pelegrinët e varfër visheshin me pallto me lëkurë dreri. Pas vitit të vështirë që kishin kaluar, ata me siguri ishin mirënjohës edhe për ato veshje dhe që kishin shpëtuar gjallë. 

Falja Presienciale

Një ditë  para Ditës të Falenderimeve në Shtëpinë e Bardhë zhvillohet ceremonia ku Presidenti fal dy gjela deti. KJo traditë vjen prej kohës të presidentit Harry Truman në vitin 1947, por nuk ka dokument. Falja e gjeldetit zyrtarisht u bë nga Presidenti Kennedy, katër ditë përpara se të vritej. Prej vitit 2003, qytetarët amerikanë zgjedhin duke votuar online dy emrat e gjelave që do të falë presidenti. Në vititn 2009 Obama fali gjelin me emrin “Courage”. Në vitin 2010 Presidenti Obama fali gjelat me emrat “Apple” dhe “Cider”, ndërsa për vitin 2011 dy gjelat që fali Presidenti Obama quheshin “Liri” dhe “Paqe”. Më 2012: Presidenti Obama fali Cobbler dhe Gobbler, dy gjela nga shteti i Virxhinias. 2013: Presidenti Obama fali Popcorn, (17 kg) gjel deti nga Minessota dhe Caramel,nga Virxhinia.

Për 2014 Presidenti Obama fali Mac dhe Cheese

Falja e gjelave të detit me rastin e Ditës të Falenderimeve u bë si zakonisht në ceremoninë e zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë.

“Unë e di se disa do të quajmë këtë një amnisti,” tha ai, duke e bërë një referencë me një urdhër ekzekutiv që ai bëri në lidhje me emigracionin javën e kaluar.

“Sot unë jam duke marrë një veprim plotësisht brenda autoritetit tim ligjor, veprimi ekzekutiv ndërmarrë para meje nga presidentët demokratë dhe  republikanë, për faljen e jetës të dy gjelave nga fati që i priste – i tmerrshmëm për ta dhe i shijshëm për ne”.

Dy gjelat – Mac dhe Cheese – ishin në diskutim për titullin në Ditën e Falenderimeve pas një fushate të fortë Twitter, dhe ata dolën fitimtarë përmes një votimi publik.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe dy vajzat e Presidentit Obama. 

Për 2015 Presidenti Obama fali Honest dhe Abe

26-11-2015 19-47-24

Edhe sivjet për 2015 në praninë e dy vajzave në Rosen Graden  – Kopështin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama fali “Honest” dhe “Abe”, kështu quhen dy gjelat e detit, që peshojnë njëri 19 kg dhe tjetri 20 kg. Të dy gjelat e detit i shpëtuan ritit dhe do ta kalojnë pensionin e tyre deri në fund në fermë.

Emrat e dy gjeladetëve janë shumë specialë, njëri Honest dhe tjetri Abe – duke na kujtuar se njëri nga pseudonimet e Presidentit Linkoln që ishte Honest Abe.

Dreka tradicionale

Dreka e Ditës të falenderimeve është shumë e famshme, kjo ditë është pushim në gjithë Ameirkën. Pjata kryesore padyshim që është gjeli i detit. Për Ditën e Falenderimeve në SHBA konsumohen rreth 70 milionë gjela deti.

Gjeli i detit gatuhet në mënyra të ndryshme. Në Bregun Lindor gjeli i detit mbushet me midhje, në Jug shoqërohet me kuleçë prej misri, në Veri me Oriz të Egër, tipik amerikan.

Tipike për Drekën e Falenderimeve është edhe salca me boronica. Ëmbëlsirë tradicionale e Thanksgiving Day janë edhe patatet e ëmbla me sheqer, erëza dhe gjalpë, që quhet Yam dhe torta me kungull.

Dita e Falenderimeve ndiqet nga e premtja që njihet si Black Friday, e Premtja e Zezë e që në  SHBA hap sezonin e blerjeve për Krishtlindje./ Përgatiti Elida Buçpapaj

26-11-2015 19-57-34

Obama: Jam i shqetësuar për videon nga Çikagoja

Presidenti amerikan, Barack Obama, thotë se është “thellë i shqetësuar” për pamjet në një video, ku shihet polici i bardhë duke shtënë në mënyrë vdekjeprurëse kundër të riut zezak.

“Sikur shumë amerikanë, isha thellë i shqetësuar për pamjen e të shtënave fatale ndaj 17 vjeçarit, Laquan McDonald”, ka shkruar mbrëmë Obama në faqen e tij zyrtare në rrjetin Facebook.

Obama ka kërkuar nga amerikanët “që të luten për ata që kanë pësuar humbje tragjike” në këtë Ditë të Falënderimeve, dhe që “të jenë falënderues për pjesën dërmuese të burrave dhe grave në uniformë, që i mbrojnë komunitetet tona me nder”.

Prokurorët e kanë publikuar videon disa orë pasi polici 37 vjeçar, Jason Van Dyke, është akuzuar për vrasje të shkallës së parë të të riut, Laquan McDonald, në tetor të vitit 2014.

SHBA uron Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë

Voal – Në një mesazh në emër të Presidentit Barak Obama, Sekretari i Shtetit John Kerry uron Shqipërinë me rastin e 103 vjetorit të pavarësisë.

Si një vend anëtar i NATO-s, thotë Sekretari Kerry, Shqipëria luan një rol jetik për nxitjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në mbarë botën.

Që kur Presidenti Wilson mbështeti pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919, të dy vendet tona kanë punuar së bashku për të krijuar jë miqësi të qëndrueshme, bazuar në vlera të përbashkëta dhe respekt reciprok, thotë zoti Kerry.

Shtetet e Bashkuara, shton ai, vlerësojnë kontributin e Shqipërisë për sigurinë globale, që nga Afganistani,  Iraku, Ukraina e deri në përballimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe  pjesëmarrjen në koalicionin ndërkombëtar kundër grupit ISIL.

Shtetet e Bashkuara, thotë ai, janë të angazhuara të mbështesin Shqipërinë gjatë kryerjes së reformave të nevojshme për të realizuar aspiratat e saj Euro-Atlantike.

Shtetet e Bashkuara, përfundon zoti Kerry, do të vazhdojnë partneritetin e ngushtë me Shqipërinë në vitet e ardhshme drejt përparimit, begatisë dhe paqes.

Presidenti Obama takohet me ekipin e sigurisë kombëtare

Presidenti amerikan Barak Obama takohet sot me ekipin e tij të sigurisë kombëtare për një konferencë mbi sigurinë e brendshme dy javë pas sulmeve terroriste në Paris dhe ndërkohë që miliona amerikanë udhëtojnë me rastin e festën së Falenderimeve.

Dita e sotme, pragu i festës së Falenderimeve, është një nga ditët më të ngarkuara të vitit me udhëtime në Shtetet e Bashkuara. Megjithëse FBI-ja thotë se nuk ka kërcënime konkrete dhe të besueshme për terrorizëm, agjencitë lokale dhe federale ligjzbatuese janë në gatishmëri të lartë.

Edhe e premtja do të jetë një ditë jashtëzakonisht e ngarkuar në qendrat tregtare, sepse ajo shënon fillimin tradicional të sezonit të blerjeve për Krishtlindjet.

Protesta në Çikago

Përleshje e policisë me demonstruesit pas publikimit të videos në Çikago

Qindra demonstrues mbrëmë kanë dalur në rrugët e Çikagos në Shtetet e Bashkuara, pasi autoritetet e kanë publikuar një video, ku shihet një polic i bardhë duke e vrarë një të ri zezak.

Prokurorët e publikuan këtë video disa orë pasi polici, Jason Van Dyke, 37 vjeçar, është akuzuar për vrasje të shkallës së parë, gjatë të shtënave kundër 17 vjeçarit, Laqan McDonald, në tetor të vitit 2014.

Prokurorja lokale, Anita Alvarez, tha se publikimi i videos “është me të vërtetë i rëndësishëm për sigurinë publike, që banorët e Çikagos ta dinë se ky oficer mbahet përgjegjës për aksionet e tij”.

Vrasja e të riut McDonald, është e fundit në një varg të incidenteve vdekjeprurëse të përdorimit të forcës së policisë kundër afrikano-amerikanëve gjatë 18 muajve të fundit.

Lidhur me këto incidente fatale ka pasur protesta në disa qytete të Shteteve të Bashkuara, duke e shkaktuar një debat kombëtar për marrëdhëniet racore dhe trajtimin e minoriteteve nga ana e policisë.

SHBA lëshon alarmin global të udhëtimit

Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar alarm global të udhëtimit për qytetarët e tyre, në përgjigje të “kërcënimeve të rritura terroriste”.

Në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se “informacionet aktuale” sugjerojnë se grupi i Shtetit Islamik, Al-Kaida, Boko Harami dhe të tjerë vazhdojnë “të planifikojnë sulme terroriste në rajone të shumta”.

Alarmi thuhet se do të mbetet në fuqi deri më 24 shkurt të vitit 2016.

Franca, Rusia Mali dhe disa vende të tjera kanë përjetuar sulme vdekjeprurëse gjatë muajit të kaluar.

Byroja Federale e Hetimeve, apo FBI, pohon se nuk ka kërcënim specifik terrorist ndaj Shteteve të Bashkuara, por organet lokale dhe federale të zbatimit të ligjit janë në gatishmëri të lartë, në prag të Festës së Falënderimeve, që shënohet këtë të enjte.

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, ka bërë të ditur për një aplikacion të ri në telefonat mobilë, i cili mund të shkarkohet nga qytetarët, me qëllim që të përmirësojnë aftësitë e shtetit për të luftuar terrorizmin. Fushata e re, e quajtur “Shoh diçka, dërgoj diçka”, synon të inkurajojë njujorkezët që të raportojnë për aktivitete të dyshimta.

Kemi rritur gatishmërinë tonë pas sulmeve në Paris dhe do të vazhdojmë të jemi vigjilentë kundër atyre që duan të përhapin frikë dhe dhunë”, ka thënë guvernatori Cuomo.

Rreth 3.6 milionë amerikanë pritet të fluturojnë në destinacionet e tyre të pushimeve gjatë Festës së Falënderimeve.

Alarmi i udhëtimit i këshillon qytetarët amerikanë që “të ushtrojnë vigjilencë kur ndodhen në vende publike ose përdorin transport”.

Ata po ashtu këshillohen që të shmangin turmat e mëdha ose vendet e mbushura me njerëz.

Alarmi global i udhëtimit nga Shtetet e Bashkuara është i pazakonshëm, por jo i rrallë.

Këshillë e ngjashme është lëshuar dy herë në vitin 2011 – pas vrasjes së Osama Bin Ladenit dhe në 10-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit. Një alarm tjetër ka pasur edhe në gusht të vitit 2013.

Ndërsa, alarmi më i fundit ka qenë për Krishtlindjet e kaluara, në përgjigje të një sulmi në Sidnej të Australisë.

Paralajmërimet e tilla të gjera janë kritikuar në të kaluarën për krijim të frikës.

Evropa po ashtu mbetet në gjendje të gatishmërisë së lartë, veçanërisht Belgjika.

Autoritetet kanë bërë të ditur se Brukseli do të mbetet edhe një javë nën alarmin më të lartë të kërcënimit të sigurisë, për shkak të frikës për sulme terroriste, të ngjashme me ato në Paris, të cilat kanë lënë të vrarë 130 veta.


Send this to a friend