VOAL

VOAL

Shtetet e Bashkuara po kremtojnë 240 vjetorin e pavarësisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kremtojnë të hënën 240 vjetorin e pavarësisë nga Britania në një ditë feste mbushur me pikniqe, parakalime e fishekzjarrë gjithandej vendit.

Presidenti Barack Obama, do të presë familjarët e ushtarakëve në Shtëpinë e Bardhë dhe një koncert nga Kendrick Lamar dhe Janelle Monae.

Por, qendra e kremtimeve do të jetë përgjatë rrugës nga Shtëpia e Bardhë tek ndërtesa e Arkivit Kombëtarë. Kjo është shtëpia e Deklaratës së Pavarësisë e hartuar nga Thomas Jefferson dhe e miratuar nga Kongresi më 4 korrik të vitit 1776.

Deklarata përmbante thelbin e idesë mbi lirinë amerikane, mbi të drejtat e natyrshme që kanë njerëzit.

“Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”, thuhej në deklaratën e hartuar nga Jeffersoni 32 vjeçar.

Më shumë se çdo gjë, deklarata është një akuzë e ashpër ndaj mbretit George të Britanisë, duke e quajtur atë një tiran dhe duke thënë se ai ka injoruar në mënyrë të përsëritur lutjet e kolonive amerikane për trajtim më të mirë.

Në mesin e 27 ankesave të renditura nga Jeffersoni, ishin edhe ato për stacionimin e një numri të madh të trupave britanike në koloni, shkëputjen e lidhjeve të tyre tregtare me botën dhe pezullimin e legjislaturave lokale.

Do të duheshin edhe disa vjet luftë me Britaninë, në atë kohë shteti më i fuqishëm ushtarakisht në botë, që Amerika të fitonte pavarësinë e plotë.

Kremtimet e 4 korrikut përfshijnë leximin tradicional të Deklaratës së Pavarësisë, n shkallët e Arkivit Kombëtar. Brenda ndërtesës, dokumenti shfaqet për publikun krahas Kushtetutës dhe Kartës së të Drejtave.

Presidenti Obama dhe Hillary Clintoni së bashku në fushatë

Presidenti Obama dhe kandidatja e pritshme demokrate për zgjedhjet presidenciale, Hillary Clinton, do të zhvillojnë fushatë së bashku për herë të parë, të martën, në Sharlotë, të Karolinës së Veriut.

Në një miting që është në plan të mbahet të martën në Qendrën e Konventave në Sharlotë, zoti Obama dhe zonja Clinton pritet të diskutojnë për përparimin e bërë dhe për vizionin e tyre për Amerikën, thuhet në një deklaratë të fushatës së zonjës Clinton.

Presidenti Obama, e mbështeti zyrtarisht muajin e kaluar kandidaturën e zonjës Clinton si kandidate e pritshme e Partisë Demokrate për zgjedhjet presidenciale.

Ndërkohë, zonja Clinton, u takua dje me zyrtarë të FBI-së në kuadrin e hetimeve për përdorimin e një serveri privat emaili gjatë periudhës kur ajo ishte Sekretare e Shtetit.

Intervista u zhvillua vetëm katër javë përpara mbajtjes së konventës së Partisë Demokrate, e cila pritet të emërojë zyrtarisht zonjën Clinton si kandidate për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Obama: Wieseli ishte zëri moral dhe ndërgjegja e botës

VOAL – UASHINGTON – “Elie Wieseli ishte një ndër zërat moralë të kohëve tona, për shumëçka ishte ndërgjegja e botës.” Kështu presidenti i SHBA Barack Obama e kujton Nobelin e Paqes dhe të mbijetuarin e Shoahut, ndarë nga jeta në moshën 87 vjeçare, shkruan voal.ch.

“Sonte, Michelle dhe unë – thuhet në një komunikatë të shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë – iu bashkohemi njerëzve në Shtetet e Bashkuara, në Izrael dhe në gjithë globin me ngushëllimin për ndarjen nga jeta dhe në nderimin ndaj një jete njerëzore vërtet të jashtëzakonshme.”

SHBA 2016 – Hillary: Mezi prisja të flas me FBI-në për emailet

VOAL – UASHINGTON, 3 KORRIK – Hillary Clintoni pohon se mezi priste të flasë me FBI-në, shkruan voal.ch. Këtë pohim e bëri pasi u dëgjua në kuadrin e një hetimi lidhur me përdorimin e serverit privat për emailet gjatë mandatit të Sekretares së Shtetit.

Në një intervistë me NBC, që do të transmetohet sot e plotë, pasi janë dhënë tashmë pjesë të saj, kandidatja demokrate në garë për Shtëpinë e Bardhë, thotë se ndihet e lehtësuar nga mundësia për të ndihmuar Departamentin e drejtësisë që të dalë në konkluzionin e duhur.

Për bisedën, e cila zgjati tri orë e gjysmë dhe ku Hillary u vu në dispozicion vullnetarisht, ajo thotë se ishte shumë civile e profesionale, ndërsa përjashton çdo koment lidhur me përfundimet e hetimit, sikurse pohon se nuk di se kur do të dalin përfundimet e hetimit.

Zeri i Amerikës:Kryeprokurorja amerikane për hetimet rreth emailit të Hillary Clinton

VOAL – Prokurorja e Përgjithshme, Loretta Lynch, tha sot se do të pranojë rekomandimet e zyrtarëve të karrierës të Departamentit të Drejtësisë që po shqyrtojnë përdorimin nga zonja Clinton të një server emaili privat, gjatë periudhës që ajo ishte Sekretare e Shtetit.

Zyrtarët e FBI-së pritet ta përfundojnë hetimin e tyre së shpejti. Ekspertë ligjorë janë shprehur se nuk pritet ngritje akuzash penale për kandidaten demokrate për president.

Prokurorja e Përgjithshme, Loretta Lynch, ka autoritetin të modifikojë akuzat që mund të ngrihen ndaj zonjës Clinton. Të tilla mosmarrëveshje ndërmjet FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë kanë ndodhur edhe më parë.

Por, një lëvizje e tillë tashmë do të ishte e debatueshme, në veçanti pasi u mësua për një takim të zhvilluar ndërmjet zonjës Lynch dhe ish-presidentit Bill Clinton.

Zonja Lynch tha se takimi 30-minutësh në pistën e aeroportit në Phoenix u përqëndrua më tepër në biseda shoqërore dhe se nuk bisedoi me Bill Clinton rreth çështjes së emailit.

Sipas disa ligjvënësve republikanë, ky takim mund të ketë kompromentuar hetimin, për të cilin janë shprehur vazhdimisht se nuk po menaxhohet me paanshmëri. Takimi është konsideruar i papërshtatshëm edhe nga disa ligjvënës demokratë.

Donald Trump, kundërshtari i ardhshëm politik i zonjës Clinton, tha se ishte i shtangur nga ky “takim tinzar” dhe se nuk kishte parë kurrë më parë diçka të ngjashme.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë u treguan të kujdesshëm kur u pyetën dje për këtë çështje. Zëdhënësi Earnest tha se Presidenti Obama kërkon të mos ketë ndërhyrje politike në këtë hetim, por edhe lavdëroi zonjën Lynch për përgjigjet e saj.

Nga kampi i fushatës së zonjës Clinton nuk është komentuar për këtë çështje.

(Fotogaleri) Shtëpia fantastike ku do të banojë familja Obama

VOAL – Kur Presidenti Barack Obama të largohet nga Shtëpia e Bardhë në muajin janar, ai do të qëndrojë në Uashington dhe do të banojë në një shtëpi që ndodhet në një lagje historike të kryeqytetit. Gazetat kanë publikuar fotografi të shtëpisë së tij të ardhshme në lagjen Kalorama të Uashingtonit, e cila ka qenë edhe shtëpia e një presidenti amerikan në të kaluarën. Kur ai të shkojë për të banuar atje, trafiku në atë rrugë do të bllokohet, por tani për tani kalohet lehtë. Tetiana Harçenko e Zërit të Amerikës përgatiti këtë material.

Kjo video satirike tregon Barak Obamën duke kërkuar një punë të re. Ai e vë veten në role të ndryshme dhe shpreson që të paktën të marrë një patentë shoferi.

Zoti Obama e ka zgjedhur tashmë se ku do të banojë familja e tij pas largimit nga Shtëpia e Bardhë. Ai do të zhvendoset në një shtëpi të madhe në një lagje të pasur të Uashingtonit, të quajtur Kalorama.

Kjo shtëpi llogaritet të kushtojë rreth 6 milion dollarë. Zoti Obama nuk do të blejë atë, por do ta marrë me qera, e cila do t’i kushtojë rreth 22 mijë dollarë në muaj.

Presidenti ka thënë se do të qëndrojë në Uashington që vajza e tij e vogël, Sasha, të mund të vazhdojë mësimet në shkollën ku është tani.

Lagja Kalorama është mjaft prestigjoze dhe e sigurt. Arsyeja është e thjeshtë: aty ndodhen shumë ambasada dhe banojnë ambasadorë si dhe zyrtarë të lartë të Uashingtonit.

Banorët janë mësuar me praninë e vazhdueshme të policisë dhe të shërbimit sekret. Historiani i lagjes, Steven Hansen, thotë se me ardhjen e familjes Obama kjo zonë do të bëhet edhe më e sigurtë.

“Mendoj se fqinjët do ta vlerësojnë ardhjen e Presidentit Obama në lagje. Po flitet se rruga do të mbyllet për trafikun dhe aty do të qarkullojnë vetëm banorët. Siguria do të rritet dhe banorët nuk ka pse të aktivizojnë sistemet e alarmit natën, sepse lagja do të mbrohet mirë dhe, në fund të fundit, kjo mund të ngrejë çmimet e shtëpive të tyre.”

John Horan, i cili jeton në afërsi të lagjes, e shëtit çdo ditë qenin e tij, Tiger, në lagjen Kalorama. Ai është i kënaqur që zoti Obama ka vendosur të qëndrojë në Uashington.

“Kjo nuk duhet të ndikojë shumë në lagje, sepse aty banojnë diplomatë nga e gjithë bota dhe zyrtarë amerikanë. Ata janë mësuar me idenë e forcave të sigurisë, ata e kuptojnë respektin që duhet treguar ndaj këtyre njerëzve, që kanë dhënë nga jeta e tyre për për shërbimin publik.”

Zoti Obama do të jetë presidenti i dytë amerikan që do të qëndrojë në kryeqytet pas përfundimit të mandatit. Woodrow Wilson ishte i pari. Ai jetoi në të njëjtën lagje, ku pritet të banojë Presidenti Obama.

Shtëpia e Wilsonit shërben sot si muze për vizitorët. Ajo shumë afër shtëpisë së ardhshme të familjes Obama.

“Këtu është ruajtur rreth 95 për qind e asaj që ishte dikur.”

Robert Enholm u tregon vizitorëve shtëpinë e Presidentit Wilson. Këtu ka shumë gjëra interesante për të parë, duke përfshirë mozaikë nga Vatikani, mobilie franceze dhe, në bibliotekën Wilson, një projektor të vjetër filmi.

Enholm sheh disa ngjashmëri në vendimin e presidentëve Wilson dhe Obama për të qëndruar në Uashington pas largimit nga detyra.

“Në një farë mënyre historia e shtëpisë sonë është historia e presidentëve që lënë detyrën dhe qëndrojnë në kryeqyteti për të qenë aktivë në politikë. Ky ishte padyshim një nga objektivat e Presidentit Wilson, dhe ndoshta presidenti Obama do të kuptojë se është një avantazh i madh të vazhdosh të banosh në Uashington.”

Nëse vazhdon të qëndrojë në Uashington, zotit Obama nuk i mbetet tjetër përveçse të marrë pjesë aktive në politikë, pa u shqetësuar aspak se nuk do të gjejë punë, siç shprehet në videon e tij satirike.

2401 Kalorama Rd NW, Washington D.C.

çmimi: $7,500,000

 

1

2016-07-02_11-53-072016-07-02_11-53-332016-07-02_11-54-042016-07-02_11-54-372016-07-02_11-55-002016-07-02_11-55-392016-07-02_11-56-082

34

17f08d06c517c72a464a5f161199b280l-m8xd-w1020_h770_q805678910

11

 

Zeri i Amerikës: Nju Xhersi, pyetjet në gjykatë për Bilal Shehun

Zëri i Amerikës ka mësuar se fondet prej 80 mijë dollarësh që përmenden në akuzën ndaj shtetasit Bilal Shehu janë me origjinë nga Shqipëria. Sipas akuzës, personi në fjalë u përpoq të bëjë transferimin e këtyre fondeve për fushatën elektorale të presidentit Obama dhe për të futur në një takim elektoral një shtetas të huaj, i cili ndonëse nuk hyri dot, arriti të bëjë një fotografi me presidentin Obama.

Ja pyetjet që iu drejtuan në seancën gjyqësore shtetasit Bilal Shehu me banim në Paramus të Nju Xhersit, i cili pranoi fajësinë se kishte ndihmuar për të fshehur kontribute të huaja gjatë fushatës presidenciale të vitit 2012 në SHBA.

I akuzuari iu përgjigj pozitivisht të gjitha pyetjeve:

1. Gjatë, ose rreth muajit tetor 2012, në Distriktin e Nju Xhersit dhe gjetkë, a keni ndihmuar dhe nxitur me dijeninë dhe dëshirën tuaj individë të tjerë, duke përfshirë Shtetasin e Huaj 1, shtetas i Greqisë dhe Shtetasin e Huaj 2, për të kontribuar me rreth 80 mijë dollarë nga Personi i Huaj 1 dhe Kompania e Huaj 1 për një komision të përbashkët për mbledhje fondesh (më poshtë “Komisioni i Përbashkët për Mbledhje Fondesh”), i cili përfshinte komisionin e autorizuar të fushatës për Presidentin Obama?

2. Afërsisht gjatë muajit shtator 2012, a keni mësuar rreth një plani për të mundësuar Shtetasin e Huaj 2 që të merrte pjesë në një aktivitet fushate, që do të mbahej më 8 tetor 2012, në San Francisco të Kalifornisë (“Aktiviteti i San Franciscos për Mbledhje Fondesh”)?

3. Gjatë, ose nga fundi i muajit shtator 2012, a mësuat gjithashtu se Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh do t’i jepeshin fonde prej rreth 80 mijë dollarë përpara 8 tetorit 2012, me qëllim që dy individë të merrnin pjesë në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh në atë datë?

4. A mësuat gjithashtu se, për të hyrë në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh, një jo-shtetas që kërkon të marrë pjesë duhet të jetë i shoqëruar nga një shtetas amerikan?

5. A mësuat gjithashtu se, sipas ligjit amerikan, jo-shtetasi nuk mund të jetë burim i një kontributi prej rreth 80 mijë dollarësh, që do të thotë se e tërë shuma prej 80 mijë dollarësh duhet të dhurohet nga shtetasi amerikan, që shoqëron të ftuarin jo-shtetas?

6. A ratë dakord të merrnit pjesë bashkë me Shtetasin e Huaj 2 në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh, për të mundësuar kështu hyrjen në Aktivitet të Shtetasit të Huaj 2 përmes statusit tuaj si shtetas amerikan?

7. A ratë dakord gjithashtu të shërbenit si kontribues i shumës prej 80 mijë dollarësh për Komisionit e Përbashkët për Mbledhje Fondesh, pra të pranonit fonde prej 80 mijë dollarësh nga një burim i huaj, të cilat do t’ia jepnit pastaj Komisionit të Përbashkët, duke bërë që të dukej sikur ky ishte kontribut i juaji personal?

8. Gjatë, ose nga fundi i muajit shtator 2012, a i dhatë një tjetër individi në SHBA emrin, datëlindjen dhe informacionin tuaj personal si dhe atë të gruas suaj, me dijeninë se këto informacione do t’i jepeshin Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh, në pritje të pjesëmarrjes suaj në Aktivitetin e San Franciscos?

9. A i dhatë të njëjtit individ informacionin e llogarisë suaj bankare, duke e ditur se ky do të përdorej për transferimin e rreth 80 mijë dollarëve, nga një burim i huaj tek llogaria juaj personale, që ju kishit rënë dakord t’ia kalonit pastaj Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh?

10. Gjatë, ose nga fundi i muajit shtator 2012, a morët një shumë prej rreth 80 mijë dollarësh, me transfertë elektronike, në llogarinë tuaj bankare në Nju Xhersi nga llogaria e Shtetasit të Huaj 1, duke e ditur se këto nuk ishin para që ju takonin dhe që ju do t’ia dorëzonit Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh?

11. Në ose rreth datës 29 shtator 2012, ndërsa ishit në Nju Xhersi, a i përdorët ju dhe gruaja juaj këto 80 mijë dollarë për të blerë dy çeqe bankare në emrin tuaj dhe të gruas suaj për 70 mijë dhe 10 mijë dollarë?

12. A ia dërguat ju më pas këto çeqe Komisionit për Mbledhje Fondesh për të siguruar hyrjen në Aktivitetin e San Franciscos për veten dhe për Shtetasin e Huaj 2?

13. Në fillim të tetorit 2012, a shkuat ju me avion në San Francisco, ku shoqëruat Shtetasin e Huaj 2 në vendin ku do të mbahej Aktiviteti për Mbledhje Fondesh?

14. A iu mohua Shtetasit të Huaj 2 hyrja në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh, por iu lejua të bënte fotografi me Presidentin e Shteteve të Bashkuara?

15. Duke vënë në jetë këtë skemë, a vepruat ju me dijeninë dhe me dëshirën tuaj?

16. A jeni fajtor për akuzën e ngritur në Informacion?

Zëri i Amerikës siguron pyetje përgjigjet në prokurorinë e Nju Xhersit të shtetasit shqiptaro-amerikan Bilal Shehu

 

Debati për foton e Ramës me Obamën

Zëri i Amerikës siguron pyetje përgjigjet në prokurorinë e Nju Xhersit të shtetasit shqiptaro-amerikan Bilal Shehu, i cili dyshohet se mundësoi foton. Paratë që derdhi për fushatën e Obamës u nisën nga Shqipëria. Rama mohon të ketë ofruar para.

Në Shqipëri është rikthyer debati rreth një foto të kryeministrit aktual Edi Rama me presidentin Barack Obama, të realizuar në vitin 2012. Çështja u rihap pasi qytetari amerikan me origjinë shqiptare Bilal Shehu, i cili mendohet se ndihmoi në atë kohë zotin Rama, kryetar i opozitës, të realizonte foton, pasi kishte derdhur 80 mijë dollarë kontribute për fushatën e presidentit Obama, pranoi se kishte shkelur ligjet amerikane. Zëri i Amerikës ka mësuar se burimi i parave ka qenë nga Shqipëria. Në përgjigje të akuzave të opozitës, kryeministri Rama hodhi poshtë çdo akuzë për kryerjen e veprimeve financiare për realizimin e fotos.

Aktet e procesit gjyqësor ndaj Bilal Shehut, shqiptarit me banim në Nju Xhersi, lidhur me financimin me burime të huaja të fushatës së presidentit Obama, dëshmojnë, sic dhe e ka pranuar, se në shtator të vitit 2012 ka ndihmuar dy shtetas të huaj që të japin një kontribut orej 80 mijë dollarësh. Në pyetjet drejtuar Shehut, të cilat janë siguara nga Zëri i Amerikës, nuk përmenden emra, por të dy shtetasit cilësohen si i Huaji 1 dhe i Huaji 2. I Huaji 1 rezulton të jetë qytetar grek, përmes një kompanie të të cilit rezulton të jetë bërë dhe lëvrimi i fondeve. Zëri i Amerikës ka mësuar gjithashtu nga burime zyrtare se paratë që janë kaluar në llogarinë e Shehut janë dërguar nga Shqipëria.

Nga procesi i pyetjeve rezulton se financimi për fushatën do të bëhej me qëllim që dy personat të merrnin pjesë në një takim të mbledhjes së fondeve më 8 tetor të vitit 2012. Ligjet amerikane ndalojnë financimet nga jashtë për fushatë. Po ashtu dhe pjesmarrja e të huajve në ceremonitë e mbledhjeve të fondeve është e ndaluar, përjashto rastet kur ata shoqërohen nga shtetas amerikanë. Shehu ka pranuar se do të shoqëronte në ceremoninë e San Franciskos të Huajin 2 dhe se e ka bërë këtë në muajin tetor. Po ashtu ai ka pohuar se të Huajit 2 nuk i është lejuar hyrja, por vetëm një foto me presidentin Obama.

Sipas një shkrimi të botuar kohë më parë nga agjencia BIRN, Shehu ka postuar në Facebook me 8 tetor, ditën kur është zhvilluar ceremonia e mbledhjes së fondeve, një fotografi të tijën me Presidentin Obama dhe një tjetër po në të njejtën ditë më zotin Rama.

Foton e tij me presidentin Obama, zoti Rama e shpërndau në prag të zgjedhjeve të vitit 2013. Mënjehërë u hodhën dyshimet se fotoja ishte realizuar falë Bilal Shehut. Që në atë kohë u bë i njohur fakti se Shehu kishte dhënë donacione prej 80 mijë dollarësh. Ligjvënësi republikan nga Kalifornia, Dana Rohrabacher, u kërkoi menjëherë autoriteteve amerikane të hetonin burimin e parave që siç theksonte ai ishin “përdorur për të siguruar një fotografi, që kryetari i Partisë Socialiste në Shqipëri, Edi Rama ka bërë me Presidentin Obama, gjatë një aktiviteti për grumbullim fondesh vitin e kaluar”.

Sot zoti Rama reagoi për këtë cështje pas akuzave të ngritura më herët nga partia demokratike si dhe publikimit nga mediat lokale të vendimit të pranimit të fajësisë nga ana e Shehut, duke folur për “manipulim mediatik”. Zyra e tij theksoi në një deklarata se “Kryeministri Edi Rama, as nuk ka marrë pjesë në ndonjë organizim elektoral të Presidentit Obama dhe as nuk ka kryer ndonjë pagesë, për të marrë pjesë në një organizim të kësaj natyre. Sepse ligji amerikan ndalon përfshirjen e çfarëdolloji të shtetasve të huaj në fushatë në Shtetet e Bashkuara”, por ai nuk sqaron nëse ka qenë në dijeni apo jo nëse një subjekt tjetër ka kryer pagesën për të mundësuar pagesën apo fotografinë e tij.

Lidhur me njohjet e tij me Bilal Shehun, shpjegohet se ai “është pjesëtar i komunitetit shqiptar në Neë York dhe është takuar me delegacionin shqiptar në SHBA në vitin 2012. Por në mënyrë kategorike nuk ka patur asnjë lloj veprimi financiar nga ana e Edi Ramës për të realizuar fotografinë e takimit me Presidentin Obama”. Në deklaratë megjithatë nuk përmendet se ku është bërë takimi me Shehun. Sipas një shkrimi të botuar kohë më parë nga agjencia BIRN, Shehu ka postuar në Facebook më 8 tetor, ditën kur është zhvilluar ceremonia e mbledhjes së fondeve, një fotografi të tijën me Presidentin Obama dhe një tjetër po në të njejtën ditë me zotin Rama.

Partia demokratike e akuzoi zotin Rama se ka paguar 80 mijë dollarë për një foto me presidentin amerikan për të mashtruar shqiptarët. Kryetari Lulzim Basha ngriti një sërë pyetjesh drejtuar kryeministrit: “Ku i gjeti Edi Rama 80 mijë dollarë në një kohe kur kishte deklaruar një pasuri prej 3 mijë eurosh? Apo janë para ryshfeti e korrupsion? Cili është burimi i tyre? Çfarë ka marrë në këmbim të këtyre parave sponsorizuesit?”

Zoti Basha kërkoi që edhe prokuroria shqiptare të nisë një hetim për këtë cështje.

SHBA, arrestohet vajza e ish-nënpresidentit amerikan Al Gore

Karenna Gore së bashku me 22 demonstrues të tjerë u arrestuan gjatë protestave për shkak të ndërtimit të gazsjellësit

BOSTON – E bija e ish-zëvendëspresidentit amerikan Al Gore, Karenna u arrestua në Boston gjatë një demonstrate kundër gazsjellësit në ndërtim e sipër.

Tubacioni West Roxbury i takon kompanisë Spectra Energy. Përveç Gore janë arrestuar edhe 22 persona të tjerë.

Në një deklaratë të grupit protestues “Resist the Pipeline & Stop the West Roxbury Lateral” theksohet se Karenna Gore gjatë demonstratës së bashku me disa demonstrues të tjerë u shtrinë në hendekun e gërmuar për vendosjen e tubave, në përpjekje për të penguar punët ndërtimore. aa

Michelle Obama vizitë në Madrid

Michelle Obama, gjendet për vizitë në Madrid për ta prezantuar projektin të cilin e ka iniciuar me emrin “Let Girls Learn” (Lërini vajzat të mësojnë)

MADRID – Zonja e parë e SHBA-ve, Michelle Obama, gjendet për vizitë në Madrid për ta prezantuar projektin të cilin e ka iniciuar me emrin “Let Girls Learn” (Lërini vajzat të mësojnë), raporton Anadolu Agency (AA).

Michelle Obana projektin “Let Girls Learn” e kishte shfaqur në maj të vitit 2015, duke filluar kështu një nismë e cila ka për qëllim largimin e të gjitha barrierave ekonomike dhe shoqërore që pamundësojnë shkuarjen në shkollë për mbi 62 milionë vajza në botë.

Ajo fillimisht kishte vizituar Liberinë më 27 qershor dhe Marokun më 28 qershor në mënyrë që ta prezantojë projektin dhe të kërkojë mbështetje për të, ndërsa sot prezantimin e realizoi në qendrën arsimore Matadero në kryeqytetin spanjoll, Madrid. Ndërkaq, Michelle Obaman që ka ardhur së bashku me vajzat e saj Malia dhe Sacha po i shoqëron edhe Mbretëresha e Spanjës Letizia.

– Përkujtohen të vrarët në sulmin në Aeroportin Ataturk

Në fillim ta fjalimit të saj, Obama foli në lidhje me sulmin në Aeroportin Atatruk të Stambollit, duke thënë se “I gjithë solidariteti ynë është me familjet e personave që humbën jetën si pasojë e sulmit. Dhimbjet e tyre i ndiejmë edhe në zemrat tona dhe jemi shumë të pikëlluar. Edhe Mbretëresha Letizia, duke e dënuar sulmin, tha se solidarizohen me popullin e Turqisë.”

Duke thënë se projekti “Let Girls Learn” është shumë i rëndësishëm, Obama u shpreh se “është e nevojshme që vajzat e vogla të shkojnë në shkollë në mënyrë që t’i realizojnë ëndrrat, të kontribuojnë për të ardhmen e familjeve dhe shteteve të tyre dhe t’i zhvillojnë kushtet shëndetësore dhe ekonomike në shtetet ku jetojnë.”

Obama vuri në pah se sipas shifrave të UNICEF-it, në vendet e Afrikës veriore dhe Lindjes së Mesme, një nga katër fëmijë nuk shkon në shkollë ose e ndërpret mësimin dhe shtoi se moslejimi i vijimit të procesit arsimor për më shumë se 62 milionë vajza lidhet me të ardhmen e shoqërive.

SHBA gati të strehojë mbi 10 000 refugjatë sirianë

Shtetet e Bashkuara janë gati të mbajnë premtimin e tyre për të pritur 10 000 refugjatë sirianë deri më 1 tetor, pavarësisht bllokimit administrativ, garantoi sot ministri i Sigurisë së Brendshme, Jeh Johnson.

“SHBA-ja sapo ka kaluar nivelin e 5 000 refugjatëve siriane dhe 5 000 – 6 000 krëkesa të tjera janë miratuar”, vazhdoi Johnson.

“Pra mendoj se ne do e kalojmë nivelin e 10 000 refugjatëve sirianë”, deklaroi ai para një komisioni të Senatit.

Duke cituar krizën humanitare të gjeneruar nga lufta civile në Siri, presidenti amerikan Barack Obama kishte bërë thirrje për të pritur refugjatë sirianë gjatë vitit buxhetor 2016, që përfundon më 30 shtator.

Trumpi: Do e përfshij NATO-n kundër IS-it

Kandidati i mundshëm republikan për president të SHBA-ve, Donald Trumpi, ka thënë se ai do e ringjallte aleancën ushtarake duke e përdorur në luftën kundër grupit militant, Shteti Islamik.

Kohë më parë, Trumpi e quante NATO-n të “papërdorshme”.

“Më pëlqen ideja e përdorimit të NATO-s por edhe vendeve fqinj që nuk janë në NATO dhe do i kontrollojmë ata. Ne duhet t’i kontrollojmë”, i ka thënë Trump televizionit ABC gjatë një interviste më 30 qershor.

Trumpi më parë ka thënë se NATO duhet të “rregullohet ndryshe që të luftojë terrorizmin” të cilin ai e sheh si kërcënimin primar për SHBA-të.

“Unë kam qenë personi që kam thënë se NATO është e papërdorshme sepse ata nuk e mbulojnë terrorizmin si duhet”, ka thënë ai.

Trump i ka thënë ABC-së se ai e ka një plan për shkatërrimimin e IS-it, mirëpo nuk ka pranuar të jap detaje. “Ne do i godasim ata shumë fuqishëm, kjo është e vërtetë. Është shumë e mundshme që ne ta perdorim NATO-n”.

Drejtori i CIA-s: Sulmi në Stamboll mban vulën e IS-it

Drejtori i CIA-s, John Brennan

Sulmi vetëvrasës në Aeroportin Ataturk të Stambollit mban “vulën” e grupit militant Shteti Islamik, tha drejtori i CIA-s, John Brennan.

Asnjë grup nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për sulmin, i cili ka vrarë 42 veta dhe ka plagosur 239 të tjerë.

“Shpërthimet e neveritshme në Aeroportin Ndërkombëtar të Stambollit, të cilat kanë vrarë dhjetëra njerëz dhe kanë plagosur shumë të tjerë, mbajnë sigurisht vulën e degjenerimit të Shtetit Islamik”, tha Brennan.

Tre sulmues vetëvrasës kanë hedhur veten në erë në aeroportin Ataturk të martën mbrëma.

Edhe autoritetet turke kanë fajësuar militantët e Shtetit Islamik.

SHBA: Vazhdojmë mbështetjen ndaj Turqisë, partnerit dhe aleatit të NATO-s

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest njoftoi se shpreh ngushëllime për familjarët e viktimave të sulmit

UASHINGTON – Shtëpia e Bardhë ka dënuar sulmin terrorist që të martën mbrëma ndodhi në aeroportin ndërkombëtar “Ataturk” në Stamboll. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest njoftoi se shpreh ngushëllime për familjarët e viktimave të sulmit.

“SHBA-të në mënyrën më të ashpër dënojnë sulmin e neveritshëm terrorist që ndodhi në aeroportin ndërkombëtar ‘Ataturk’ në Stamboll, ndërsa në të cilin humbën jetën dhe u plagosën dhjetëra persona”, theksoi Earnest.

Ai shtoi se SHBA-të edhe më tej mbështesin, siç theksoi, partnerin dhe aleatin e tyre në NATO.

“Derisa zhvillojmë luftën kundër kërcënimit terrorist, së bashku me miqtë dhe aleatët tjerë në botë, vazhdojmë mbështetjen ndaj Turqisë, partnerit dhe aleatit të NATO-s”, porositi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë pas sulmit terrorist në Stamboll.

Sipas të dhënave të fundit, numri i të vdekurve gjatë sulmit është rritur në 36 persona, ndërsa 147 të tjerë janë plagosur, të cilët janë transferuar në spitalin më të afërt.aa

Obama: Votuesit britanikë reaguan ndaj zhvillimit të ngadalshëm

Presidenti amerikan, Barack Obama ka thënë se zhvillimi i ngadaltë ekonomik dhe zgjerimi ambicioz dhe planet e integrimit të BE-së mund ta kenë shtyrë votuesin britanik që të votojë për të dal nga blloku evropian.

Gjatë një interviste të mbrëmshme me radion publike amerikane, NPR, Obama ka thënë se ekonomia në eurozonë nuk ka shënuar ngritje sikur ekonomia amerikane prej krizës financiare të vitit 2008 dhe se BE është ngutur që të zgjerohet pa e pasur konsensusin e nevojshëm.

“Unë mendoj që mënyra më e mirë për të menduar për këtë është se është shtypur butoni i pauzës mbi projektin e integrimit të plotë evropian”, ka thënë ai. “Nuk do e teproi me këtë pasi ka pasur pak a shumë reagime histerike pas votimit për BREXIT, sikur tani NATO nuk ekziston më, se aleanca trans-atlantike është duke u shpërbërë dhe se çdo vend është duke u strukur në këndin e tij. Kjo nuk është duke ndodhur”, ka thënë Obama.

Obama vëren disa ngjajshmëri në mes të referendumit në Britani dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA. Ai thotë se disa politikanë kanë arritur të shfrytëzojnë frikën e votuesit për humbjen e kontrollit derisa ofrojnë “ndjenja nostalgjike dhe të paqarta rreth asaj se si…do e bëjmë Britaninë të mrekullueshme sërish, apo do ta bëjmë Amerikën të mrekullueshme sërish”.

Por, Obama ka thënë se nuk beson që kandidati nga Partia Republikane amerikane për president, Donald Trump është zëdhënës legjitim për klasën punëtore në asnjëren anë të Atlantikut.

NATO për herë të parë me zëvendësshefe

Sekretari i përgjithshëm i NATO’s, Jens Stoltenberg, tha sot në Bruksel, se zonja Gottemoeller “do të sjellë në NATO një përvojë të pasur në politikën e sigurisë ndërkombëtare dhe në fushat siç janë kontrolli i armatimit dhe marrëdhëniet me Rusinë”.

Zëvendës-sekretari i përgjithshëm është posti i dytë më i lartë civil në NATO.

Stoltenberg tha se Gottemoeller do të jetë femra e parë që e ka mbajtur një post të tillë dhe ka vlerësuar se ky është “një moment historik në NATO”, transmeton REL.

Aktualisht Gottemoeller është këshilltare e sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, për kontroll të armatimit, mos-zgjerim dhe çarmatim, ka njoftuar NATO.

Në këtë post ajo e zëvendëson, paraardhësin, Alexander Verbshow, që ka shërbyer prej shkurtit të vitit 2012.

NATO-ja tha se Gottemoeller do ta filloj punën në postin e ri në muajin tetor.

Kerry sot bisedime në Romë, Bruksel dhe Londër

ROMË – Kerry do të japë “mesazhe mbështetëse”, si dhe përgjigje dhe sugjerime për situatën e re apo të krizës në fushën e ekonomisë

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry do të vizitojë Romën, Brukselin dhe Londrën për t’u takuar me zyrtarë më të lartë britanik dhe të Bashkimit Evropian (BE) pas vendimit historik të Britanisë për tu larguar nga Bashkimi Evropian.

Kerry do të japë “mesazhe mbështetëse”, si dhe përgjigje dhe sugjerime për situatën e re apo të krizës në fushën e ekonomisë.

Kryediplomati amerikan fillimisht sot do të udhëtojë në Romë, ku do të takohet me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarët italianë.

Është planifikuar që të njëjtën ditë Kerry të vizitoj Brukselin ku do të zhvillojë bisedime me shefen e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini. Sekretari amerikan i Shtetit në Londër do të takohet me sekretarin britanik për punët e jashtme, Philip Hammond para se të kthehet në Washington në fund të ditës. aa

Obama bisedon me kryeministrin Cameron dhe kancelaren Merkel

Një gjë që nuk do të ndryshojë, tha Presidenti Obama, është marrëdhënia e veçantë midis SH.B.A. dhe Mbretërisë së Bashkuar

 

Presidenti Barack Obama tha të premten se kishte biseduar me Kryeministrin britanik David Cameron dhe është i bindur se Britania është e angazhuar për një tranzicion të rregullt në procesin e largimit nga Bashkimi Evropian.

Ai tha se kishte biseduar gjithashtu me kancelaren gjermane Angela Merkel për të diskutuar mbi rezultatin e papritur të votimit britanik në favor të largimit nga BE.

Presidenti Obama i bëri komentet gjatë një fjalimi në Universitetin e Stanfordit në Kaliforni. Ai tha se beson që vendimi i papritur i britanikëve për t’u larguar flet për ndryshimet dhe sfidat që ka sjellë globalizimi.

Një gjë që nuk do të ndryshojë, tha Presidenti Obama, është marrëdhënia e veçantë midis SH.B.A. dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Obama: E respektojmë vendimin britanik

Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara e respektojnë vendimin e popullit britanik për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.

Në reagimin e tij të parë publik për referendumin të premten në mëngjes, Presidenti Obama tha se marrëdhëniet e veçanta midis Uashingtonit dhe Londrës do të vazhdojnë.

Ai tha se Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian do të mbeten partnerë të domosdoshëm të Shteteve të Bashkuara, edhe pasi ata të fillojnë negocimin e marrëdhënieve të reja mes tyre për të siguruar vazhdimin e stabilitetit, sigurisë dhe begatisë në Evropë, Britaninë e Madhe dhe në botë.

Presidenti Obama kishte kërkuar me forcë që Britania të mbetej në BE. Vendimi i britanikëve ishte një goditje ndaj përpjekjeve të tij për t’iu kundërvënë pikëpamjeve izolacioniste që po përhapen në shumë pjesë të botës.

SHBA, Evropa dhe NATO-ja

“Prania e Mbretërisë së Bashkuar në NATO mbetet një gur themeli jetik për politikën e jashtëme, të sigurisë, dhe atë ekonomike të SHBA,” tha presidenti Obama. “Po kështu, është marrëdhënia jonë me Bashkimin Evropian, i cili ka bërë aq shumë për të promovuar stabilitetin, për të nxitur rritjen ekonomike dhe përhapjen e vlerave e idealeve demokratike në të gjithë kontinentin e më gjerë,” tha Presidenti.

Nënpresidenti Joe Biden që ndodhej për vizitë në Dublin, shtoi se SHBA do të vazhdojnë të punojnë me partnerët “për të çarë një rrugë të re përpara.”

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan tha se votimi britanik ishte “një arsye më shumë që Amerika të udhëheqë”. Amerika ka nevojë të udhëheqë; bota dëshiron që Amerika të udhëheqë, u tha zoti Ryan gazetarëve në Kapitol.

Trumpi: Edhe vendet e tjera të ndjekin shembullin e Britanisë për largim nga BE-ja

Clintoni: Respektoj zgjedhjen e bërë nga populli i Mbretërisë së Bashkuar

Kandidati i pritshëm republikan për president, Donald Trumpi, tha se parashikon që edhe vende të tjera të ndjekin shembullin e Britanisë dhe së shpejti të bëjnë përpjekje për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.

“Njerëzit duan t’u kthehet vendi i tyre siç e kishin më parë, duan të kenë pavarësi, në një farë kuptimi. Kjo po shihet në Evropë, në të gjithë Evropën. Për mendimin tim, do të shohim më tepër se sa ajo që ndodhi mbrëmë. Mendoj se do të ketë edhe shumë raste të tjera, ku njerëzit do të kërkojnë t’u kthehen kufijtë dhe pavarësia financiare,” tha zoti Trump.

Ai i bëri komentet në rezortin e tij të golfit në Tërnberi të Skocisë. Ai tha se ka ngjashmëri mes asaj që ndodhi në Britani dhe asaj që po ndodh në Shtetet e Bashkuara.

Kandidatja e pritshme demokrate për presidente, Hillary Clinton, bëri një deklaratë në Tweeter.

Ajo tha se respekton zgjedhjen e bërë nga populli i Mbretërisë së Bashkuar. “Detyra jonë e parë, – tha ajo, – është të sigurohemi që pasiguritë ekonomike të shkaktuara nga këto ngjarje nuk do të dëmtojnë familjet punëtore.”

“Kjo kohë pasigurish vetëm sa nënvizon nevojën për një udhëheqje të qetë, të qëndrueshme dhe me përvojë në Shtëpinë e Bardhë; nënvizon gjithashtu nevojën që ne të bashkohemi për të zgjidhur sfidat ndaj vendit tonë dhe jo për të shkatërruar njëri-tjetrin,” thuhet në deklaratën e zonjës Clinton.

Obama: Marrëdhëniet e veçanta midis Uashingtonit dhe Londrës do të vazhdojnë

Presidenti amerikan Barak Obama tha se Shtetet e Bashkuara e respektojnë vendimin e popullit britanik për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.

Në reagimin e tij të parë publik për referendumin, Presidenti Obama tha se marrëdhëniet e veçanta midis Uashingtonit dhe Londrës do të vazhdojnë.

Ai tha se Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian do të mbeten partnerë të domosdoshëm të Shteteve të Bashkuara, edhe pasi ata të fillojnë negocimin e marrëdhënieve të reja mes tyre për të siguruar vazhdimin e stabilitetit, sigurisë dhe begatisë në Evropë, Britaninë e Madhe dhe në botë.

Presidenti Obama kishte kërkuar me forcë që Britania të mbetej në BE. Vendimi i britanikëve ishte një goditje ndaj përpjekjeve të tij për t’iu kundërvënë pikëpamjeve izolacioniste që po përhapen në shumë pjesë të botës.

Komentet e presidentit u bënë në një deklaratë me shkrim të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, ndërsa presidenti ndodhet në Kaliforni.

Sandersi thotë se do të votojë Hillary Clintonin për presidente

Bernie Sanders

Kandidati demokrat presidencial, Bernie Sanders, ka shpallur se do të votojë për të nominuarën e supozuar demokrate, Hillary Clinton.

Mëtutje, në komentet e tij gjatë një interviste në rrjetin televiziv MSNBC, ai theksoi se do të bëjë çdo gjë të mundshme për të ndihmuar që t’i shkaktohet disfatë të nominuarit të supozuar republikan, Donald Trump, pasi Sanders konsideron se “Trump në shumë mënyra, do të jetë katastrofal nëse zgjedhet president”.

Praktikisht, Clinton e ka siguruar nominimin në fillim të këtij muaji.

Bernie Sanders e ka mbajtur gjallë fushatën e tij, duke thënë se do të shkojë në Konventën e Partisë Demokratike në muajin korrik dhe do të përpiqet që të ketë sa më shumë politika të tij, që do të miratoheshin në kuadër të platformës partiake.

Kongresi i SHBA: Demokratët e përfunduan protestën me ulje

Pamje e ndërtesës së Kongresit të Shteteve të Bashkuara në Uashington

Demokratët amerikanë e kanë përfunduar protestën e tyre me ulje në Dhomën Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara për shkak të mosvotimit të një legjislacioni për kontroll të armatimit.

Kjo protestë e pazakonshme ka zgjatur 24 orë.

Ata kanë shprehur përkushtim për të mos lejuar që Kongresi i Shteteve të Bashkuara të pushojë për festën e 4 korrikut, derisa të votohet legjislacioni për kontrollin e armatimit, i propozuar pas të shtënave masive në Orlando të Floridës, më 12 qershor.

Por, republikanët, që e kanë shumicën në Dhomën Përfaqësuese, e kanë kundrshtuar këtë veprim të demokratëve, duke e cilësuar si “reklamë publike” dhe e kanë shtyrë seancën e ardhshme pas 4 korrikut.

Një numër i mbështetësve të kontrollit të armatimit dhe protestues kanë mbetur para ndërtesës së Kongresit në mbështetje të demokratëve që protestuan me ulje.

Gjykata e Lartë bllokon planin e Presidentit Obama për emigrantët

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara bllokoi të enjten planin e Presidentit Obama për të shtyrë afatin e deportimit të miliona emigrantëve pa dokumente.

Ky vendim i arritur nga votimi 4 me 4 i anëtarëve të Gjykatës së Lartë, la në fuqi një vendim të gjykatës së shkallës së parë, që hidhte poshtë urdhërin e zotit Obama për të vendosur një politikë të re emigracioni me urdhër ekzekutiv, pasi Kongresi nuk arriti të miratojë ndryshime të rëndësishme për emigracionin.

Presidenti e cilësoi vendimin “dëshpërues” për emigrantët, të cilët sipas tij, “nuk do të jenë në gjendje të japin kontributin e tyre në vend”. Por ai shtoi se nuk do të ketë përpjekje për deportimin e imigrantëve që i binden ligjit, të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara, edhe pse vendimi e lë vazhdimin e pranisë së tyre në vend në një gjendje të papërcaktuar nga pikëpamja ligjore.

Ashtu sikurse edhe në të kaluarën, zoti Obama, kritikoi republikanët e Senatit që kanë refuzuar të shqyrtojnë emërimin prej tij të gjykatësit Merrick Garland të gjykatës federale të apeleve, si anëtar të nëntë të gjykatës së lartë, vend që ka mbetur bosh pas vdekjes së gjykatësit Antonin Scalia. Ligjvënësit thonë se emërimi për vendin e 9-të në Gjykatën e Lartë duhet bërë nga presidenti i ardhshëm, pasi zoti Obama të jetë larguar nga Shtëpia e Bardhë në janar.

Texasi dhe shtete të tjera ngritën padi ndaj administratës Obama lidhur me planin e imigracionit, duke argumentuar se ai ishte jo kushtetues, pasi binte në konflikt me ligjin aktual të imigracionit. Por administrata argumentoi se shtetet e ndryshme nuk kanë të drejtë të ngrenë padi të tilla pasi ligji i imigracionit është kompetencë e qeverisë federale.

Në kushtet kur gjykata është e ndarë 4 me 4, qëndron në fuqi vendimi i gjykatës së nivelit më të ulët.

“Për më tepër se dy dekada, sistemi ynë i imigracionit – dhe këtë e pranojnë të gjithë – nuk funksionon si duhet.”- tha zoti Obama. “Fakti që Gjykata e Lartë nuk ishte në gjendje të merrte sot një vendim, jo vetëm e çon prapa sistemin, por na largon edhe më tepër nga ëndërra që kemi për vendin tonë”.

Kandidatja për presidente e Partisë Demokrate, Hillary Clinton, e kritikoi vendimin e Gjykatës si të “papranueshëm”, duke thënë se “Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë gjithshka” për të zbutur frikën e imigrantëve pa dokumente se mund të deportohen. Ajo i qortoi republikanët në Senat që refuzuan të shqyrtojnë emërimin e zotit Garland.

Paul Ryan, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët, e vlerësoi vendimin e Gjykatës së Lartë, duke thënë se “presidentit nuk i lejohet të shkruajë ligje, këtë detyrë e ka vetëm Kongresi. Kjo është një tjetër fitore madhore në luftën tonë për rikthimin e ndarjes së pushteteve”, tha zoti Ryan.

Kongresi i SHBA: Prej 22 orësh protesta sit-in e demokratëve

Protesta vazhdon pa kufizim dhe të gjithë këndojnë ‘We Shall Overcome’

VOAL – NJU JORK, 23 QERSHOR – Zemërimi i demokratëve në Kongresin Amerikan nuk zbehet, shkruan voal.ch. Po ashtu vazhdon qëndrimi sit-in për të kërkuar me forcë  patjetër një kufizim të armëve të zjarrit, prej 22 orësh tashmë.

Salla e Dhomës së Përfaqësuesve, pavarësisht se kryetari republikan Paul Ryan i ka ndërprerë punimet deri më 5 korrik, mbetet e pushtuar nga dhjetër deputetë, njofton ansa. Një gjë e tillë nuk është parë kurrë – komentojnë vëzhguesit, ndërsa New York Times shkruan: “Skena të një rrëmujë të pashembullt në Dhomën e Përfaqësueve.” Në rreshtin e parë është John Lewis, 76 vjeç, ikonë e luftës për të drejtat qytetare të afroamerikanëve.

Momente tensioni gjatë natës janë regjistruar kur Ryan i ka ftuar të gjithë të shkojnë në shtëpi. Është krijuar një vërshim thërritjesh, kore si në stadiume dhe këngë. E ndërsa të gjithë këndonin ‘We Shall Overcome’, Ne Do T’ia Dalim, himnin e lëvizjes për të drejtat qytetare të viteve ’60, shumë duke iu drejtuar kryetarit me fotot e viktimave të armëve, përfshirë 20 fëmijë nga masakra e Newtownit e 50 të vdekurit e masakrës së Orlandos.

SHBA, ligjvënësit në protestë për kontrollin e armëve

Në SHBA, një grup prej rreth 30 demokratësh në Dhomën e Përfaqësuesve organizuan një protestë të pazakontë të mërkurën ndaj refuzimit të republikanëve për të hedhur në votë një rezolutë që parashikon kufizimin e blerjeve të armëve.

Ligjvënësit ecën në pjesën e përparme të Dhomës së Përfaqësuesve brenda ndërtesës së Kongresit. Ata njoftuan se po protestonin për të detyruar Kryetarin e Dhomës, Paul Ryan, udhëheqës i shumicës republikane, që të anulojë pushimin një-javor të Dhomës së Përfaqësuesve të planifikuar për javën e ardhshme.

Demokratët bënë thirrje për një debat dhe votim mbi masat për të zgjeruar kontrollet ndaj personave që blejnë armë si dhe për të mos lejuar blerjen e armëve nga ata që dyshohen si terroristë.

Disa nga ligjvënësit demokratë u ulën në dysheme, duke i lënë të habitur republikanët me këtë taktikë që është e zakonshme për protestat në rrugë, por jo në Kongres.

Protesta drejtohet nga ikona e të drejtave civile, John Lewis nga Georgia,i cili tha se “në 12 vitet e fundit krimet me armë morën më shumë jetë amerikanësh sesa SIDA dhe mbidozat me narkotikë së bashku”.

Ligjvënësi republikan që kryesonte seancën, Ted Poe i Teksasit, deklaroi pushimin e saj dhe dha urdhër të ndërpritej mbulimi televiziv.

(Video) Obama shpall “listën e zezë” me emrat e politikanëve shqiptarë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama ka publikuar listën e “personave të rrezikshëm” për shtetin e tij që vijnë nga mbarë bota.

“Kërcënimi i përbërë nga veprimet e personave të angazhuar në, apo që ndihmojnë, sponsorizojnë, ose mbështesin dhunën ekstremiste në Republikën e Maqedonisë dhe në vende të tjera në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ose aktet që pengojnë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje dhe Herzegovinë ose Rezolutën e Kombeve të Bashkuara e Këshillit të Sigurimit 1244 të 10 qershorit të vitit 1999, në Kosovë, nuk është zgjidhur. Përveç kësaj, Urdhri Ekzekutiv 13219 i ndryshuar me Urdhrin Ekzekutiv 13304 të datës 28 maj 2003, për të marrë hapa të tjerë në lidhje me aktet që pengojnë implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001 në lidhje me Maqedoninë. Për shkak se aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetit pengues të përshkruara në këtë Urdhra ekzekutive janë armiqësore ndaj interesave amerikane dhe vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, unë kam vendosur që është e nevojshme për të vazhduar emergjencën kombëtare të deklaruar në lidhje me Ballkanin Perëndimor”, shkruan Barack Obama në sqarimin e kësaj liste.

Në mesin e tyre ka edhe shqiptarë nga Kosova, Kosova Lindore, Shqipëria e Maqedonia.

Sipas listës së publikuar në linkun https://sanctionssearch.ofac.treas.gov/, del se nga Kosova është një numër i konsiderueshëm i personave të konsideruar të rrezikshëm për sigurinë e SHBA-ve.

Daut Haradinaj, Rexhep Selimi, Azem Syla, Haradin Balaj, Fatmir Limaj, Ramiz Lladrovci, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Emrush Xhemajli, janë disa prej emrave të njohur për publikun që SHBA i konsideron “persona të rrezikshëm” për sigurinë e vet, raporton Koha.net.

Veç emrave të individëve, në këtë listë paraqiten edhe organizata të ndryshme, nga ato “ushtarake” e deri tek ato “humanitare”.

“Ushtria e Republikës së Iliridës”, “Ushtria Kombëtare Shqiptare”, “Fronti për Unitet Kombëtar Shqiptar”, “Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc”, “Komiteti Nacional për Çlirimin dhe Mbrojtjen e Tokave Shqiptare”, “Ushtria Çlirimtare Kombëtare”, “Lëvizja Nacionale për Çlirimin e Kosovës”, “Këshilli Politik i Preshevës, Medvegjës e Bujanocit”, “Lëvizja Popullore e Kosovës” e “Ringjallja e Shoqërisë së Trashëgimisë Islame”, janë në mesin e entiteteve që konsiderohen të rrezikshme për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërkaq, edhe nga Maqedonia del të jetë një listë e konsiderueshme e personaliteteve që SHBA-të i konsiderojnë të rrezikshëm.

Menduh Thaçi, Gafur Adili, Nuri Bexheti e të tjerë, janë në mesin e personaliteteve që administrata Obama i konsideron persona të rrezikshëm.

Nuk miratohet ligji për kontroll më të madh nga FBI

Senati amerikan të mërkurën e ka hedhur poshtë një propozim të republikanëve për rritje të mundësisë së vëzhgimit sekret të Byrosë së Hetimeve Federale.

Propozimi u bë pas vrasjes masive që ndodhi në një lokal nate për homoseksualë në Orlando.

Projektligji i ri do të zgjeronte mundësinë që FBI të kërkonte vëzhgimin e bisedave telefonike dhe të dhënave në internet nga kompani si “Alphabet Inc” dhe “Verizon”, pa mandat gjykate.

Hodges: Rusia mund të pushtojë lehtësisht shtetet baltike

Gjenerali amerikan, Ben Hodges – Arkiv

Komandanti i ushtrisë amerikane në Evropë, thotë se NATO momentalisht nuk do të mund të mbronte vendet baltike nga një sulm i Rusisë.

Forcat ruse do të mund ta okuponin Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë “më shpejtë se sa ne do të mund t’i mbronim ato”, ka thënë Gjeneral Lejtnant, Ben Hodges gjatë një interviste me gazetën gjermane, “Die Zeit”.

Artikulli i publikuar sot e citon Hodges duke thënë se ai pajtohet me vlerësimin e analistëve ushtarak që thonë se forcat ruse mund të okuponin kryeqytetet e shteteve baltike brenda 36 deri në 60 orë.

Javën e kaluar NATO ka thënë se do të vendos katër batalione në Estoni, Letoni, Litauni dhe Poloni për të kundërshtuar Rusinë më kategorike. Ndërkaq, në muajin korrik NATO do e mbaj një samit në kryeqytetin polak, Varshavë.

Rusia ka thënë se prania e trupave të NATO-s në afërsi të kufirit rus është kërcënim për sigurinë e saj.

Marrëdhëniet në mes të NATO-s dhe Moskës janë në nivelin më të ulët prej Luftës së Ftohtë si pasojë aneksimit që Rusia i bëri gadishullit ukrainas të Krimesë në marsin e vitit 2014 dhe përkrahjes që iu jep separatistëve që po luftojnë në Ukrainën lindore.

Clintoni sulmon rivalin Trump për ekonominë

Kandidatja e pritshme demokrate për presidente, Hillary Clinton e portretizoi rivalin republikan Donald Trump si të papërshtatshëm për të drejtuar ekonominë, duke thënë se politikat e tij të “papërgjegjshme” do “ta hedhin vendin përsëri në recesion” dhe do të rrisin papunësinë.

Duke folur të martën në shtetin e Ohajos, zonja Clinton sulmoi të kaluarën e kandidatit Trump në fushën e biznesit si një tregues se si ai do ta menaxhojë ekonominë më të madhe të botës.

Ajo përmendi falimentime dhe padi të shumta të ngritura ndaj zotit Trump, duke përfshirë sipërmarrjen e tij në fushën e arsimit, Universitetin Trump.

Clinton, Trump dhe sondazhet

Zonja Clinton shpreson të bindë votuesit se ajo do të jetë një administratore më e mirë e ekonomisë.

Por disa sondazhe të fundit tregojnë se shumica e votuesve të mundshëm favorizojnë zotin Trump në çështjet ekonomike.

Një sondazh i kompanisë Gallup i kryer gjatë këtij muaji tregon se zoti Trump është 10 pikë përpara zonjës Clinton për pyetjen se kush duhet besuar më shumë për ekonominë dhe shtatë pikë përsa i përket punësimit.

Kandidati Trump, republikanët dhe fondet e fushatës

Donald Trump, kandidati i pritshëm presidencial republikan thotë se po përpiqet për të fituar mbështetje nga zyrtarët republikanë, por shpreh pak shqetësim për faktin që është prapa demokrates Hillary Clinton në mbledhjen e fondeve për zgjedhjet e 8 nëntorit.

Manjati miliarder i pasurive të patundshme, dikur personalitet televiziv i bëri komentet pak orë pas njoftimeve të reja se fushata e tij kishte vetëm 1.3 milion dollarë fonde në fillim të qershorit, në krahasim me zonjën Klinton që kishte 42.5 milionë.

“Hillary Clinton do të shpenzojë një miliard dollarët nga paratë e Wall Streetit dhe Lindjes së Mesme”, tha zoti Trump për Fox News. “Ndërsa unë kam vetëm një burim, paratë e mia.”

Zyrtarët e lartë republikanë, përfshirë ligjvënësit kryesorë në Kongres, po tregohen të ngadalshëm për të mbështetur kandidaturën e zotit Trump, duke thënë se kanë në plan të votojnë për të, ndërsa kritikojnë thirrjet e tij për një ndalim të përkohshëm që muslimanët të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Disa republikanë, duke përfshirë kandidatin presidencial të vitit 2012, Mitt Romney, kanë thënë se nuk e përkrahin zotin Trump, duke i cilësuar komentet e tij si fyerje ndaj muslimanëve, meksikanëve, grave dhe të paaftëve.

Trump, po rigjallëron fushatën?

Me mbledhjen e fondeve që pakësohen dhe sondazhet në shkallë kombëtare që tregojnë se zonja Clinton gëzon popullaritet 5.8-përqind më të lartë, kandidati Trump shkarkoi të hënën menaxherin e fushatës, Corey Lewandowski.

Zgjedhjet e fundit presidenciale në vitin 2012 treguan se paratë janë faktor i rëndësishëm në fushatat moderne. Komisioni i fushatës së presidentit Barack Obama shpenzoi 775 milionë dollarë për rizgjedhje më 2012, ndërsa Mitt Romney 460 milionë.

Fushata e kandidates Clinton ka më shumë fonde

Për të fituar zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, një faktor i rëndësishëm është financimi i fushatës dhe deri tani është e emëruara e pritshme e Partisë Demokrate Hillary Clinton ajo që kryeson betejën financiare.

Sipas dokumenteve të dorëzuara nga kandidatët presidencialë tek Komisioni Federal i Zgjedhjeve, zonja Clinton ka siguruar fonde me vlerën e më tepër se 26 milionë dollarëve në muajin maj dhe se muajin qershor fushata e saj e ka filluar me 42.5 milionë dollarë në bankë.

Në kontrast të dukshëm me zonjën Clinton, fushata e të emëruarit të pritshëm të Partisë Republikane, Donald Trump kishte vetëm 1,3 milion dollarë. Ai mundi të sigurojë në maj 5,6 milionë dollarë për fushatën e tij, e filloi muajin qershor me 2,4 milionë dhe ka shpenzuar 6,7 milionë dollarë.

Si zoti Trump, edhe zonja Clinton, do të marrin ndihmë nga partitë e tyre dhe nga grupe të tjera donatorësh, për të shpenzuar për reklamat televizive që mbështesin knadidatët. Por është e rëndësishme për secilin prej kandidatëve, që të kenë paratë e veta për të shpenzuar për reklamat dhe për fushatën në të 50 shtetet amerikane.

Zgjedhjet e kaluara presidenciale në vitin 2012, treguan se sa të nevojshme janë paratë në fushtatat elektorale në kohët moderne. Presidenti Obama shpenzoi 775 milionë dollarë për t’u rizgjedhur, ndërsa rivali i tij republikan Mitt Romney shpenzoi $460 millionë.

SHBA, një britanik pranoi se ka tentuar të vrasë Trumpin

Sandford u paraqit para gjykatës në Navada, i akuzuar për kryerje të “aktit të dhunës në terren të kufizuar” gjatë tubimit të Trumpit në Las Vegas

UASHINGTON (AA) – Britaniku 19-vjeç i cili fundjavën e kaluar u arrestua sepse në tubimin e Donald Trump në Las Vegas tentoi t’ia rrëmbejë revolen një polici, pranoi se ka dashur ta vret kandidatin më të spikatur republikan për president të SHBA.

Michael Sandford u paraqit të hënën para gjykatës në Navada, i akuzuar për kryerje të “aktit të dhunës në terren të kufizuar” gjatë tubimit të Trumpit në një kazino në Las Vegas.

“Sandford e pranoi se me vetëdije ka ardhur në Las Vegas për të vrarë Trump. Pranoi se me siguri do të arrinte të qëllonte me dy të shtëna dhe se ka qenë i sigurt se policia do ta vriste gjatë tentimit për të vrarë Trump”, thuhet në raportin e gjykatës. aa

John Kerry e Angelina Jolie marrin pjesë në një program iftari

Kerry fjalimin e tij e ka nisur me shprehjen “selamu alejkum” ka rikujtuar se bota muslimane po feston muajin më të bekuar

UASHINGTON – Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, në një program iftari ku ai mori pjesë duke theksuar se refugjatët e pranuar në SHBA nuk janë elementë të ndonjë kërcënimi, tha se dallimi i njerëzve sipas feve dhe vendeve nuk përputhet me vlerat e SHBA-së.

Sekretari Kerry dhe përfaqësuesja e posaçme e Komisionerit të Lartët ë Kombeve të Bashkuara, aktorja amerikane Angelina Jolie me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve kanë marrë pjesë në një program iftari të organizuar nga Komuniteti Musliman i rajonit Dulles (ADAMS) .

Kerry i cili fjalimin e tij e ka nisur me shprehjen “selamu alejkum” ka rikujtuar se bota muslimane po feston muajin më të bekuar, ka theksuar se po të mblidhen të gjithë refugjatët në një shtet, do të ishte vendi i 22-të më i populluar në botë.

Duke reaguar ashpër ndaj opinioneve se refugjatët e pranuar në SHBA janë elementë kërcënues për sigurinë e brendshme të vendit Kerry tha se “As nuk mund të bëhet fjalë që të jenë ndonjë element kërcënues për vendin tonë refugjatët të cilët janë pranuar në SHBA pas nënshtrimit të një mbikëqyrjeje të caktuar.”

Ndër të tjera Kerry ka theksuar se dallimi i njerëzve sipas vendit ku kanë lindur apo sipas feve nuk përputhet me vlerat mbi të cilët është formuar SHBA-ja. aa

Biden i kritikon qëndrimet anti-myslimane të Trumpit

Nënpresidenti i SHBA, Joe Biden

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se politikat e kandidatit republikan për president të SHBA-së Donald Trump, janë të dëmshme.

“Një pjesë e retorikës që dëgjoj, tingëllon si e dizajnuar për të radikalizuar të 1.4 miliard myslimanët e botës”, ka thënë Biden.

Më 19 qershor, Trump ka shkuar përtej thirrjeve të tij të mëparshme për të ndaluar përkohësisht hyrjen e myslimanëve në SHBA. Në vend të kësaj, Trump ka thënë se SHBA duhet të bëjë profilin e myslimanëve që tashmë ndodhen në vend.

Me politika të frikës dhe jotolerancës “vihet në pikëpyetje statusi i Amerikës si demokracia më e madhe në historinë e botës”, ka thënë Biden.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA mbahen këtë nëntor.

Trump pritet të përballet me kandidaten demokrate, Hillary Clinton.

Senati amerikan e refuzon kufizimin e shitjes së armëve

Senati i Shteteve të Bashkuara

Senati i Shteteve të Bashkuara ka refuzuar propozimet që kufizojnë shitjen e armëve.

Propozimet kanë përfshirë kontroll më të gjerë për blerësit dhe ndalimin e shitjeve te personat që ndodhen në listat për terrorizëm.

Masat nuk kanë arritur të sigurojnë 60 votat e nevojshme në Senatin prej 100 anëtarësh.

Ligjvënësit demokratë dhe republikanë, megjithatë, kanë thënë se do të vazhdojnë të kërkojnë një kompromis.

Masat janë vënë në diskutim pas të shtënave vdekjeprurëse, javën e kaluar, në Orlando të Floridës.

Një person i armatosur, shtetas amerikan me prejardhje afgane, ka vrarë atje 49 veta.

Sulmuesi ka shprehur besnikëri ndaj grupi militant Shteti Islamik.

Shoqata Kombëtare e Pushkëve në SHBA lobon fuqishëm kundër kufizimit të armëve.

Trumpi: SHBA duhet të shqyrtojë profilizimin e myslimanëve

“Me të vërtetë duhet shqyrtuar profilizimi. Kjo nuk është gjëja më e keqe që mund të bëhet”, tha Trumpi në një intervistë për CBC

UASHINGTON – Kandidati në radhët e republikanëve për president të SHBA-së, Donald Trumpi, deklaroi se SHBA-të duhet “seriozisht” të shqyrtojnë “profilizimin e myslimanëve” në këtë vend si mjet për luftë kundër terrorizmit.

“Me të vërtetë duhet shqyrtuar profilizimi. Kjo nuk është gjëja më e keqe që mund të bëhet”, tha Trump në një intervistë për CBC.

Kandidati republikan për president të SHBA-ve shtoi se urren termin profilizim, porse doemos duhet “të përdoret logjika e shëndoshë mbi korrektësinë politike”.

Trump tha se Qeveria duhet të zbatojë hetime në xhamitë e SHBA-ve në të njëjtën mënyrë sikur që ka bërë njësiti demografik i policisë në New York, e cila ka spiunuar myslimanët dhe xhamitë në qytet me ndihmë të CIA-s, ku janë mbledhur të dhëna për atë se ku jetojnë, blejnë, punojnë dhe luten myslimanët. aa

Trumpi dhe pengesat për emërimin e tij

Donald Trumpi, kandidati i pritshëm presidencial i Partisë Republikane thotë se disa republikanë po përpiqen ta pengojnë emërimin e tij zyrtar në Kuvendin e Partisë në korrik.

Disa delegatë për në Kuvend nga shteti i Ohajos thonë se duan t’i ndryshojnë rregullat e partisë, për të bërë të mundur që të votohet për një person tjetër dhe jo për miliarderin Trump si kandidati republikan për president.

Donald Trump ka dalë i pari mes 16 kandidatëve të tjerë republikanë në zgjedhjet partiake të zhvilluara muajt e fundit, duke siguruar shumicën e numrit të delegatëve për në kuvendin e partisë, në korrik.

Por kundërshtarët e tij thonë se ai nuk përfaqëson qëndrimet tradicionale konservatore të Partisë Republikane dhe se komentete e tij për myslimanët, gratë dhe meksikanët e bëjnë të pamundur pranimin e tij si i emëruari i partisë për kandidat presidencial.

Kritikët e zotit Trump, po ashtu japin një tjetër argument kundër tij, duke thënë se anketat kombëtare tregojnë se kandidatja demokrate, ish sekretarja e Shtetit Hillary Clitnon kryeson garën me të 5 muaj para zgjedhjeve të nëntorit.

SHBA, sot festohet “Dita e Baballarëve”

Sot në Shtetet e Bashkuara është Dita e Baballarëve, një ditë kur nderohen baballarët. Presidenti Barack Obama tha në fjalimin e tij të përjavshëm se me afrimin e festës ai ka menduar lidhur me përgjegjësitë që kemi ndaj njëri-tjetrit. Presidenti tha: “Të mos harrojmë kurrë se sa të mira mund të arrijmë thjesht duke dashur njëri-tjetrin.”

Origjina e festës së baballarëve filloi me 5 korrik të vitit 1908, kur një kishë në Virxhinian Perëndimore mbajti sherbimin e së dielës në kujtim të 362 burrave që kishin humbur jetën një vit më parë nga shpërthimi në një minierë qymyri.

Vitin që pasoi, një grua nga Spokejn e shtetit Uashington, e cila u rrit nga babai i saj i ve, nisi një fushatë për të krijuar një festë për baballarët, sikurse është edhe Dita e Nënës. Ajo pati sukses dhe në vitin 1910 shteti i Uashingtonit festoi për të herë të parë Ditën e Baballarëve.

Gjatë viteve 1920 dhe 1930, pati përpjekje për të bashkuar Ditën e Nënës dhe Ditën e Babait në një festë të vetme, Dita e Prindërve. Por me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, mbështetësit e idesë së festës e nxitën publikun të festonte Ditën e Baballarëve, si një mënyrë për të nderuar ushtarët që po i shërbenin vendit. Ata ja dolën dhe nga fundi i luftës, Dita e Baballarëve u filloi të festohej në mbarë vendi. Por ishte Presidenti Richard Nixon, ai që e njohu Ditën e Baballarëve si një festë kombëtare në Shtetet e Bashkuara, për herë të parë në vitin 1972.

Hillary përsëri gjyshe, Chelsea lind djalë

Fëmija i dytë i Chelsea Clintonit quhet Aidan

VOAL – NEW YORK, 18 QERSHOR – Hillary Clinton është bërë përsëri gjyshe, shkruan voal.ch (Voice Of Albanians) . Chelsea Clinton ka lindur djaë. Ai quhet Aidan. Lajmin ia ka besuar rrjetit social Twitter.

”Jemi të gëzuar të kremtojmë lindjen e birit tonë, Aidan,” njofton Chelsea, e cila ka tashmë një vajzë, Charlotte.

Sot gjykohet amerikani që e sulmoi një xhami në SHBA

Ilustrim

Një amerikan pritet të dënohet sot pasi e ka pranuar fajin se ka shtënë në drejtim të një xhamie të Nju Jorkut, në shenjë zemërimi menjëherë pas sulmeve të nëntorit në Paris.

Në këto sulme, militantë islamikë kanë vrarë 130 persona.

Ted Hakey, 48 vjeç e ka pranuar se ka gjuajtur të paktën katër herë në drejtim të xhamisë Baitul Aman, në orët e hershme të mëngjesit të 14 nëntorit pasi ka mësuar për sulmin e një dite më parë nga disa persona të armatosur që kanë pasur lidhje me grupin militant, Shteti Islamik.

Gjatë sulmit të amerikanit, asnjë person nuk është lënduar.

Agjencia e lajmeve, Reuters ka shkruar se i njejti person disa orë para se ta kryente sulmin në profilet e tij nëpër rrjete sociale ka shkruar “e vetmja zgjidhje është që ta zhdukim Islamin nga faqja e Tokës”.

Këto postime janë pjesë edhe e dosjes së tij në gjykatë.

Prokurorët federalë kanë kërkuar nga gjykata që ai të dënohet nga 8 deri në 14 muaj burg dhe deri në 3 vjet lirim të kufizuar.


Send this to a friend