VOAL

VOAL

Qeveria amerikane ka nën kontroll objektet që shfrytëzoheshin nga diplomatët rusë

Konsullata ruse në San Francisko, SHBA

Diplomatët rusë janë larguar pa zhurmë nga dy objekte pushimi që i kanë shfrytëzuar në periferi të Uashingtonit dhe qytetit të Nju Jorkut, në pajtim me urdhërin e dhënë nga Shtëpia e Bardhë.

Rusët, që janë akuzuar se kanë përdorur këto objekte për spiunim, kanë pasur afat deri në mesditë që të largohen nga objekti që gjendet në Centreville të Merilendit dhe tjetri në ishullin Long të Nju Jorkut.

Afër mesditës, disa kamionë të vegjël, autobusë dhe automjete të blinduara me regjistrim diplomatik janë larguar nga aty.

“Hapësirat janë liruar dhe tani janë nën kontrollin e qeverisë”, ka thënë Elliot Conway, kryetari i Upper Brookville.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se këto objekte janë shfrytëzuar për mbledhje të informacioneve sekrete. Mbyllja e tyre është pjesë e masave kundër Rusisë për dyshimin se kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit përmes sulmeve kibernetike.

Ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin, këtë vendim e ka quajtur “skandaloz”, veçanërisht pasi është marrë gjatë pushimeve të Krishtlindjeve, kur ka pushim nga shkolla ndërsa familjet kanë planifikuar që të shfrytëzojnë ato objekte për relaksim gjatë festave.

Ja çfarë shkruan Soros për Trump tek Project Syndicate

Voal – Multimilarderi demokrat George Soros, njëri nga mbështetësit kryesorë të kandidates Hillary Clinton në një kolumnë të botuar tek Project Syndicate  titulluar Shoqëria e hapur ka nevojë të mbrohet, shprehet gjërë e gjatë rreth situatës aktuale në SHBA dhe botë.

CNBC citon një fragment ku Soros shkruan se “Trump është një mashtrues dhe mund të kthehet në një diktator”.

George Soros argumenton se demokracia “tani është në krizë” dhe zgjedhja e Donald Trump si dhe ndjenja anti-Bashkimi Evropian do të ndihmojë për të fuqizuar diktatorët rreth globit.
Në kolumnën e botuar kësaj të mërkure tek Project Syndicate, financieri miliarder i lindur në Hungari përshkruan shkaqet e asaj që ai thotë se “çoi elektoratin që të bëhen të pakënaqur me versionet mbizotëruese të demokracisë dhe kapitalizmit.” Ai argumentoi se “shumë njerëz mendonin se elitat kishte vjedhur demokracitë e tyre,” duke kontribuar në votim britanik për të lënë  Bashkimin Evropian, zgjedhjen e Trump dhe referendumin e fundit italian që shihet si një tjetër goditje në BE.

“Shoqëritë e hapura janë në krizë, dhe format e ndryshme të shoqërive të mbyllura – nga diktatura fashiste tek shtetet mafioze – janë në rritje. Për shkak se liderët e zgjedhur nuk arritën të përmbushin pritjet dhe aspiratat legjitime të votuesve, elektorati është bërë  më i pakënaqur me versionet mbizotëruese të demokracisë dhe kapitalizmit”, shkruan Soros.

“Shumë përpara se Donald Trump të ishte zgjedhur President i Shteteve të Bashkuara, u kam dërguar një kartolinë përshëndetje miqve të mi ku kam shkruar: “Këto kohë nuk janë për të bërë biznes si zakonisht. Duke ju uruar më të mirën në një botë të trazuar. ” Tani unë e ndjej që ta ndaj këtë mesazh me pjesën tjetër të botës. Por, para se të bëj, unë duhet të them se kush jam dhe atë që unë përfaqësoj.

Unë jam një hebre, 86-vjeçar, që u bëra shtetas amerikan pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. I mësuar që në moshë të re se sa e rëndësishme është lloji i regjimit politik që mbizotëron. Përvoja formuese e jetës sime që nga koha e pushtimit të Hungarisë nga Gjermania e Hitlerit në vitin 1944. Unë ndoshta do të kishte marrë fund sikur babai im nuk e kuptoi seriozitetin e situatës. Ai na rregulloi identitete të rreme për familjen e tij dhe për shumë hebrej të tjerë dhe me ndihmën e tij shumica mbijetuan.

Në vitin 1947 ika nga Hungaria, në atë kohë nën sundimin komunist, për në Angli. Si student në Shkollën Ekonomike të Londrës, kam qenë nën ndikimin e filozofit Karl Popper, dhe kam zhvilluar filozofinë time, të ndërtuar mbi shtyllat binjake të gabueshmërisë dhe reflektimit. I kam dalluar në mes të dy llojeve regjimet politike: ato në të cilat njerëzit zgjedhin udhëheqësit e tyre që mendojnë më pas se do të kujdesen për interesat e elektoratit, dhe pala tjetër që manipulon elektoratin për t’i shërbyer interesave të sunduesve. Nën ndikimin e Poperit, unë e kam quajtur shoqërinë e llojit të parë të hapur dhe të llojit të dytë e mbyllur.(vijon)”/Shqipëroi Elida Buçpapaj

 

Trumpi dëshiron të njihet me faktet për ndërhyrjet kibernetike ruse

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka bëtë thirrje që Shtetet e Bashkuara “të lëvizin” mëtutje, pasi Shtëpia e Bardhë e goditi Rusinë me sanksione të reja madhore për ndërhyrje në zgjedhjet e nëntorit nëpërmjet sulmeve kibernetike.

“Është koha që vendi ynë të lëvizë në gjëra më të mëdha dhe më të miraa”, tha mbrëmë Trump, derisa për të parë herën ka indikuar se i merr më tepër seriozisht akuzat për ndërhyrje ruse të dokumentuar nga agjencitë e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara.

Më parë, gjatë fushatës zgjedhore, ai shpeshherë i ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje ruse.

“Në interes të vendit tonë dhe të popullit të madh të tij, unë do të takohem me liderët e komunitetit të inteligjencës javën e ardhshme me qëllim që të njihem me faktet për këtë situatë”, tha Trump.

Gatishmëria e re e zotit Trup për ta shqyrtuar dëshminë e paraqitur nga Shtëpia e Bardhë, sugjeron se ai po përgjigjet ndaj presionit të liderëve republikanë, të cilët kanë bërë thirrje për qëndrim të ashpër kundër Rusisë, për ta dekurajuar Moskën nga ndërhyrja e tillë politike në të ardhmen.

Trumpi do të përdorë fondet amerikane për të ndryshuar OKB-në

Shefi i ri i OKB-së e ka shprehur dëshirën të takohet me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump edhe pse ky i fundit ka bërë thirrje për ndryshime të mëdha të organizatës botërore.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, i cili e nis detyrën më 1 janar, Antonio Guterres, ka thënë se ai dëshiron të “vendosë dialog konstruktiv” me Trumpin sa më shpejtë që është e mundur.

“Është padyshim interesi im ta vizitojë sa më shpejtë që është e mundur”, ka thënë ai dhe ka shtuar: “SHBA-ja nuk është vetëm donatori më i madh i OKB-së, por edhe elementi fundamental në veprimet e tij”.

Dje, Trump ka lënë të kuptohet SHBA-të do i perdorin fondet që ja japin OKB-së për të nxitur ndryshime të mëdha, ndonëse ai nuk e ka qartësuar për çfarë është fjala.

“OKB ka potencial të jashtëzakonshëm. Nuk po e përdor potencialin që e ka”, iu ka thënë Trump reporterëve në Florida.

“Kur keni parë që Kombet e Bashkuara kanë zgjidhur problem? Ata nuk ia arrijnë. Ata shkaktojnë probleme”.

“Pra, nëse arrijnë ta përdorin potencialin, kjo do të ishte gjë e mirë. Nëse nuk ia arrin, është humbje kohe dhe parash”, ka thënë më tej Trump.

Donald Trump do të betohet si president i SHBA-së më 20 janar.

Trumpi Izraelit: Qëndro i fortë derisa të marr detyrën

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i bëri thirrje Izraelit që “të qëndrojë i fortë” derisa ai të marrë detyrën, muajin e ardhshëm.

Me një postim në Twitter, Trump tha se SHBA nuk mund të lejojë që Izraeli “të trajtohet me përbuzje totale dhe mungesë respekti”.

Trump i është referuar marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe votimit, javën e kaluar, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kundër ndërtimit të vendbanimeve hebreje në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor.

SHBA nuk ka marrë parasysh thirrjet e Trumpit për t’i vënë veto rezolutës.

Trump shkroi të mërkurën në Twitter se “Izraeli e ka pasur mike të madhe SHBA-në, por jo më”.

Trump tha se marrëveshja që kufizon programin atomik të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve kundër tij, ka qenë “fillimi i fundit”.

Komentet e Trumpit vijnë në kohën e tensioneve në rritje midis SHBA-së dhe Izraelit, pasi Uashingtoni ka abstenuar nga votimi në Këshill të Sigurimit.

Po ashtu të mërkurën, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, përsëriti se zgjidhja me dy shtete është thelbësore për paqen midis palestinezëve dhe izraelitëve. (REL)

Kabineti i zotit Trump dhe konfirmimi nga Senati

Edhe para inaugurimit të zotit Donald Trump si presidenti i ardhshëm më 20 janar, Senati do të fillojë shqyrtimin e kandidaturave të tij për postet kryesore të administratës. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman, demokratët kanë shprehur mosbesim të madh lidhur me përzgjedhjet e zotit Trump, por pa përkrahjen e republikanëve, ata nuk kanë fuqinë e duhur për të bllokuar emërimet.

“Mendoj se do të jetë një prej kabineteve më të mira ndonjëherë”

Në zgjedhjen e këshilltarëve të tij të ngushtë, zoti Trump u mbështet tek drejtuesit e korporatave, ushtria dhe radhët e nëpunësve publikë me prirje konservatore, pro-biznesit.

Ndoshta asnjë i emëruar nuk ka tërhequr më shumë vëmendje se sa drejtori i kompanisë Exxon Mobile, Rex Tillerson, si kandidat për sekretar shteti.

“Mardhëniet e mia me Vladimir Putinin datojnë rreth 15 vite më parë, ai e kupton se unë jam biznesmen. Kompania ime ka investuar shumë para në Rusi.”

Ligjvënësi demokrat Chris Coons thotë:

“Do të bëjmë shumë pyetje dhe të shohim se çfarë përgjigjesh do të japë zoti Tillerson.”

Senatori Chris Coons shërben në Komisionin e Senatit për Mardhëniet me Jashtë, që do të shqyrtojë kandidaturën e zotit Tillerson.

“Ka republikanë dhe demokratë që do të bëjnë pyetje në lidhje me konflikte të mundshme interesi të zotit Tillerson, rreth miqësisë së tij të gjatë dhe të ngushtë me Vladimir Putinin dhe Rusinë. Në lidhje me aftësitë e tij për të balancuar kërkesën e të qënit diplomat dhe për të luftuar për interesat e Amerikës, me përvojën e tij të gjatë në drejtimin e një kompanie energjitike.”

John Hudak është me Institutin Brookings.

“Seancat e konfirmimit, të paktën disa prej tyre, do të jenë shumë të ashpra. Si të thuash kjo do të jetë prova e parë e zotit Trump në marrëdhëniet me kongresin.”

Shumica e senatorëve republikanë po shprehin mbështetje mbi përzgjedhjet e zotit Trump. Senatori republikan Mitch McConnell:

“Emërimet deri tani kanë qënë mbresëlënëse. Jam optimtist se ata do të konfirmohen.”

Republikanët kanë një shumicë të vogël në Senat dhe nëse mbeten të bashkuar, ata mund t’i konfirmojnë emërimet e zotit Trump.

“Senatorët e kuptojnë se atyre u duhet të punojnë me presidentin

gjatë viteve të ardhshme. Mënyra më e lehtë për të dëmtuar marrëdhëniet me shefin e partisë tënde është që t’ia vështirësosh konfirminin e të emëruarve të tij”, thotë analisti John Hudak.

Ndërkohë, demokratët do të shfrytëzojnë seancat e konfirmimeve për të bërë pyetje të vështira ndaj të emëruarve me shpresën për të ndikuar tek opinioni publik dhe tek disa republikanë. Në bazë të kushtetutës, senatorët ofrojnë “këshilla dhe japin pëlqimin” për të emëruarit – detyrë që demokratët thonë se e marrin seriozisht.

“Një prej karakteristikave të demokracisë amerikane është ndarja e pushteteve mes ekzekutivit dhe legjislativit”, thotë senatori demokrat Chris Coons.

“Demokratët në senat nuk mund të bëjnë gjë pa mbështetjen e dy apo tre republikanëve”, thotë analisti Hudak.

Aktualisht, zoti Trump po ngre lart të emëruarit e tij, duke e cilësuar zotin Tillerson si “mbështetës të fortë të interesave amerikane në botë”.

Obama një president idealist, në një realitet të ashpër

Presidenti Barak Obama është në ditët e fundit në detyrë si presidenti i 44 i Shteteve të Bashkuara. Politikani 47 vjeçar, që erdhi në pushtet duke premtuar shpresë dhe ndryshim, largohet pas 8 vitesh me shkallën më të lartë të miratimit se sa çdo president tjetër i periudhës moderne, rreth 59 për qind. Zoti Obama largohet, ndërsa politikania që ai priste ta zëvendësonte, Hillary Clinton, pësoi humbje të thellë përballë republikanit Donald Trump. Zoti Trump ka premtuar se do të zhbëjë shumë prej politikave themelore të parardhësit të tij. Korrenspondentja e Zërit të Amerikës, në Shtëpinë e Bardhë, Cindy Saine, i hedh një vështrim disa prej momenteve kryesore që u bënë përcaktuese për Barak Obamën si udhëheqës, por dhe si njeri.

Imazhi i afro-amerikanit të parë të zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara, kapur për dore me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, mund të ketë ndryshuar përgjithmonë perceptimin e amerikanëve mbi atë se kush mund të fitojë Shtëpinë e Bardhë.

Nëse ka ndonjë njeri që ende dyshon se Amerika eshtë vendi ku çdo gjë është e mundur, nëse ende pyet veten a është gjallë edhe sot ëndra e themeluesve tanë, që vë në pikëpyetje forcën e demokracisë sonë, sot ka marrë përgjigjen”, tha presidenti Obama.

Amerikanët e vlerësojnë shumë zotin Obama për rolin e tij si prind, edhe pse nuk bien dakort me disa prej politikave të tij.

Ndoshta më shumë se çdo president tjetër, ai ka integruar jetën familiare me udhëheqjen e vendit dhe kjo nuk është një gjë e lehtë”, thotë Alan Lihtman, historian presidencial.

Në fillimet e presidencës së tij, zoti Obama u përqëndrua në kapjen e Osama Bin Laden-it, udhëheqësit të al-Kaidës, gjë që nuk e bëri dot ish presidenti George W. Bush. Në mbrëmje vonë, në 2 maj, të vitit 2011 presidenti Obama iu drejtua popullit amerikan.

Sonte mund t’u them amerikanëve dhe botës se Shtetet e Bashkuara drejtuan një operacion ku u vra Osama Bin Laden, udhëheqësi i al-Kaedës dhe një terrorist që është përgjegjës për vrasjen e mijëra burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm.

Por kjo fitore e madhe u pasua me fillimin e luftës civile vdekjeprurëse në Siri. Në 21 gushtin e 2012 zoti Obama i bëri një paralajmërim presidentit sirian Bashar Al Assad, paralajmërim i cili nuk do t’i ndahej presidentit amerikan.

Nuk mund të lejojmë që armët kimike dhe biologjike të bien në duart e njerëzve të gabuar. Kemi qenë shumë të qartë me regjimin e Assadit por dhe të aktorë tjerë në terren, vija e kuqe për ne është atje ku shohim të qarkullojnë apo përdoren armët kimike”.

Një vit më vonë, vëzhguesit thanë se ushtria e Assadit vrau më shumë se 1 mijë persona me gaz sarin. Ndryshe nga ç’pritej, Shtetet e Bashkuara nuk u përgjigjën me përdorim force. Një ekspert sirian thotë se ky ishte momenti kur u thyen shpresat e shumë sirianëve.

“Ç’ka po ndodh në Siri është vetëm një tjetër betejë, në luftën e madhe atje”,- thotë Haid Haid, i organizatës “Chatham House”

Brenda vendit, pas incidenteve me sfond racor, presidenti Obama foli mbi gjendjen e marrëdhënieve racore në Amerikë. Masakrimi i 9 afrikano-amerikanëve në një kishë në qershorin e viti 2015 e bëri presidentin të reflektojë për qëndrimin e mbajtur nga familjet e viktimave të cilat e falën personin e armatosur.

Nëse e përqafojmë këtë gjest, gjithshka mund të ndryshojë”.

Në skenën botërore, zoti Obama u shkëput prej politikës së kaluar duke krijuar hapje historike me Birmaninë dhe Kubën. Në Havanë ai komunikoi direkt me popullin kuban.

“Në shumë mënyra Shtetet e Bashkuara dhe Kuba janë si dy vëllezër, të larguar prej shumë vitesh edhe pse kanë një gjak”.

Presidentit duket se i pëlqen ndërveprimi me të rinjtë, sikurse me këtë grup nga Vietnami.

Përpara se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje pse nuk këndon pak, të shohim ç’di të bësh.

Megjithëse mandatit të tij si president po i vjen fundi, zoti Obama thotë se ky është vetëm fillimi i përpjekjes së tij globale për të nxitur të rinjtë të vihen në role udhëheqëse.

Shinzo Abe dhe Barack Obama në Pearl Harbor

Barack Obama (djathtas) dhe Shinzo Abe në Pearl Harbor

Liderët e Shteteve të Bashkuara dhe të Japonisë, që ishin armiq gjatë luftës, e kanë bërë një vizitë të përbashkët prekëse në Pearl Harbor, mbrëmë vonë, duke paraqitur deklarata simbolike për fuqinë e pajtimit dhe kanë tërhequr vërejtjen kundër luftës.

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, dhe presidenti amerikan, Barack Obama, kanë bërë një vizitë historike në vendin e sulmit shkatërrues e befasues të Japonisë, që i përfshiu Shtetet e Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore.

“Si kryeministër i Japonisë, unë ofroj ngushëllime të sinqerta dhe të përjetshme për ata që i kanë humbur jetët e tyre këtu dhe për shpirtërat e të gjithë atyre burrave dhe grave, që jetët e tyre u morën nga lufta, që filloi në këtë vend”, tha Shinzo Abe.

Ai nuk ka kërkuar falje për sulm por tha se “ne nuk duhet kurrë t’i përsërisim tmerret e luftës”, raporton agjencia AP.

Presidenti amerikan, Barack Obama, e falënderoi mysafirin e tij duke thënë se “ju mirëpres juve këtu në frymën e miqësisë” dhe shtoi se “shpresoj se së bashku ne dërgojmë mesazh në botë se më tepër duhet të fitohet në paqe se në luftë, se pajtimi bartë me vete më tepër përfitime se ndëshkime”.

Dështimi i “doktrinës Obama”

Në vitin 2014, në një editorial të ashpër tek “Wall Street Journal”, Dick Cheney kishte folur haptazi për “kolapsin” e “doktrinës Obama”, duke e hedhur poshtë në total strategjinë në fushën e politikës së jashtme, të Presidentit në fuqi. Nisja e presidencës së Barack Obama pesë vite më herët ishte përshëndetur në Shtetet e Bashkuara me tone mesianike, si fillimi i një epoke të artë paqeje, stabiliteti, rilindjeje të të drejtave të njeriut dhe civile, rigjallërimi ekonomik dhe një pastrimi të imazhit të Shteteve të Bashkuara në botë. Në largësinë e 8 viteve nga zgjedhja e presidentit të parë afroamerikan dhe pas 2 mandatesh presidenciale radhazi, mund të thuhet se Obama i ka zhgënjyer pothuajse të gjitha pritshmëritë për përmirësimin e situatës, sa në frontin e jashtëm, aq edhe në atë të brendshëm (pavarësisht se në planin ekonomik gjykimi mund të jetë më indulgjent), duke lënë si trashëgimi një botë shumë më pak të sigurtë e të begatë, sidomos në Perëndim, se sa ajo që kish marrë në trashëgimi nga G. W. Bush. Primati amerikan në glob, i vënë gjithnjë e më shumë në diskutim nga shumë anë në nivel ndërkombëtar, i lë hapësirë pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë.

Nga shumë anë janë ngritur zëra që kanë akuzuar presidencën Obama se ka qenë më e keqja nga koha e Jimmy Carterit. Për të tjerë duket kemi të bëjmë me më të keqen e të gjithave. Edhe po të duash të japësh një gjykim dashamirës lidhur me marrëveshjen bërthamore iraniane (për një kohë e gjatë e debatuar dhe së cilës i është vënë fjala fund në fillim të këtij vendi) dhe mbi rivendosjen e marrëdhënieve me Kubën (ku Obama ka shkuar për vizitë, presidenti i parë amerikan në 90 vite), puna e përgjithshme e Obamës nuk ka merituar elozhe të veçanta. Presidenca e tij, e shënuar nga paqartësi dhe nga gjendja e “patës së çalë”, sidomos në mandatin e saj të dytë (përjashton parantezën e shkurtër e 2 vjeçarit 2009 – 2010), është dalluar prej rivaliteteve në brendësi të administratës, jo vetëm midis partisë demokrate dhe republikane (kjo e fundit e tronditur shumë nga fenomeni Donald Trump), por edhe midis institucioneve të vendit (ushtri dhe politikë, agjenci, ente federale, ushtri dhe ansajelltas), pse jo edhe prej axhendës konfuze politike, asnjëherë e përkufizuar qartë dhe padyshim e influencuar nga një mazhorancë e qëndrueshme në Kongres.

Kontradikta më e ashpër ka pasur të bëjë me respektin e munguar të premtimit për një hapje të re ndaj Lindjes së Afërt, Afrikës dhe Azisë, që Obama pritet t’ia lërë pasuesit të tij në një gjendje mbylljeje të fortë kundrejt Uashingtonit. Për sa i përket Afrikës në kompleksin e saj, pritshmëritë e një interesimi më të madh për fatet e kontinentit nuk janë realizuar, duke ia lënë fushën aktivizmit gjithnjë e në rritje të Pekinit. Politika e jashtme obamiane, shumë larg nga arritja e një “rendi të ri botëror”, le në trashëgimi një botë mbi të cilën Shtetet e Bashkuara ushtrojnë gjithnjë e më pak influencë, sa në planin politik, aq edhe në atë ushtarak, dhe mbi të cilën superfuqia “vetmitare” protagoniste e fazës së shkurtër unipolare duket se nuk ka më forcë.

Tërheqja nga skenarët luftarakë apo ngurrimi ndaj impenjimit në terren të dëshiruara nga Obama, megjithëse të ndërmarra fillimisht për t’i dhënë fund një interventizimi agresi dhe me qëllimin për t’ia ceduar aleatëve përgjegjësinë e menaxhimit të skenarëve strategjikë, i kanë hapësirë paqëndrueshmërisë dhe petenrimit të terrorizmit, duke favorizuar rekursin tek luftërat me bedel nga ana e aleatëve jo të besueshëm (shiko Sirinë dhe Libinë. Kritika e ngritur nga Cheney ishte e drejtuar pikërisht tek zgjedhja e çimpenjimit dhe të strategjisë obamiane e “leading from behind”, e treguar si përgjegjëse e avancimit të kërcënimit terrorist në Lindjen e Afërt, e humbjes së influencës mbi aleatët dhe për zbehjen e prestigjit të Shteteve të Bashkuara në botë.

Lindja e Afërt dhe Afrika Veriore

Dështimi i politikës së jashtme ka qenë sidomos i dukshëm në Lindje të Afërt, ku Obama ishte i prirur (dikutimi në Kajro i 2009) drejt një hapjeje të re ndaj të gjithë botës arabe, gjë që në fakt ka rezultuar në një (ç)impenjim progresiv dhe një “kaos”, që nuk ka lënë asnjë influencë të mbetur mbi atë pjesë të botës, pavarësisht angazhimit të bollshëm.

Gjithsesi, nëse marrëveshja me Teheranin për shtyrjen e krijimit të arsenalit atomik, termat e së cilës e kanë lënë dukshëm të pakënaqur Izraelin, Arabinë Saudite dhe një pjesë të Kongresit, mund të konsiderohet pozitive në Irak e në Siri, ashtu si edhe në Libi, ndërhyrja amerikane dhe europiane ka pasur pasoja katastrofike, duke shkaktuar luftëra dhe shkatërrime, jo vetëm për këto vende, por edhe për të gjithë Europën, pasi ka shkaktuar një fluks të pakuntrolluar migrator, fidanishte krizash dhe rivalitetesh midis vendeve të ndryshme europiane. Veç të tjerash, një mea culpa lidhur me Libinë ka dalë kohët e fundit nga goja e vetë Obamës, i cili në Fox News ka pranuar gabime në menaxhimin e “day after”, pas ndërhyrjes.

Tërheqja e trupave amerikane nga Iraku e vendosur në 2011, që pasoi shpalljen nga Obama të “tërheqjes strategjike” (domethënë çimpenjimin progresiv nga skenarët e luftës), la një boshllëk të papritur në rajon, duke përcaktuar përhapjen e fondamentalizmit të armatosur. Dobësia e ushtrisë irakene, e lënë e vetme përballë terrorizmit, ka mundësuar vendosjen e të vetëquajturit Kalifat sunit të ISIS-it (çdo gjë përveçse thjesht një “flakë kashte”) dhe kaosin që ka pasuar. Gabimet i kanë pasuar kërcënime jo konsekuente (që kanë shënuar një humbje të pastër besueshmërie për Shtetet e Bashkuara) kur Obama, pasi ka kërcënuar një ndërhyrje ushtarake në Siri, ka bërë një prapakthehu të bujshme dhe ka mirëpritur propozimin e Putinit për shtyrje, në këmbim të shkatërrimit të arsenalit kimik të regjimit. Rezultati final ka qenë që Shtëpia e Bardhë ka pësuar një shuplakë të rëndë mediatike, duke ia lënë skenën Rusisë së Putinit, i cili e ka transformuar Sirinë në një skenë për protagonizmin e tij, përveçse në një skenar të gjerë, në të cilin të vinte në provë makinën e vet të frikshme luftarake.

Terrorizmi

Në frontin e terrorizmit xhihadist, fenomeni është gangrenizuar patjetër. Siç është demonstruar nga ISIS-i, ai ka ardhur gjithnjë e më shumë duke u bërë më i radikalizuar dhe më i rrezikshëm, përveçse për herë të parë i territorializuar. Pas 15 vitesh tentativa perëndimore të prirura zyrtarisht për ta çrrënjosur terrorizmin dhe centralet e al Qaedas, në Afganistan rreziku është ai i një rikthimi në pushtet të talibanëve. Kurse Siria është rasti më i bujshëm i dështimit të administratës Obama në frontin e terrorizmit. Pas 5 vitesh lufte civile, jo vetëm që nuk ka ndodhur regime change që ishte në planet e administratës Obama, por Siria është transformuar në një aktor themelor në skenarin e Lindjes së Afërt.

Ngurrimi fillestar i Obamës për të “vendosur çizmet në terren” i ka mundësuar të vetëquajturit Shtetit Islamik që të përhapet midis Sirisë dhe Irakut, duke u konsoliduar deri në atë pikë, sa është bërë e nevojshme ndërhyrja e fuqive të tjera, midis të cilave Rusisë. Lidhur me këtë pikë, bilanci i Shteteve të Bashkuara në të shpallur “luftë kundër terorrizmit” nuk ka sesi të mos jetë negativ. Nga ana tjetër, një ndërhyrje tokësore e tyre do të kishte pasur si objektiv më shumë përmbysjen e al Assadit, sesa fundin e ISIS-it. Në këtë profil, “maturia” e Obamës i ka shmangur Shteteve të Bashkuara përfshirjen në një konflikt tjetër.

“Pranvera arabe” dhe të drejta njeriu

Aftësia e shfrytëzimit të revoltave popullore në Afrikën Veriore dhe në Lindjen e Afërt, nëse ka mundësuar të ribëhet harta e rripit të vendeve arabe mesdhetare, nuk u ka sjellë benefite të mëdha as këtyre vendeve, as Europës. Shumë larg nga sjellja e paqes dhe demokracisë, ka gjeneruar vetëm kaos dhe paqëndrueshmëri, përjashto Egjiptin, ku revolta popullore ka arritur të rrëzojë regjimin e Vëllazërisë Myslimane të Morsit (i mbështetur nga Shtëpia e Bardhë), duke rivendosur boshllëkun e lënë nga Mubarak.

Nuk flasin sigurisht në favor të kauzës së të drejtave të njeriut, sa mbrojtja nga presidentët amerikanë, aq edhe mbyllja e munguar e Guantanamos, as “kill list” (programi i eliminimit sekret dhe ekstraligjor i armiqve), as doktrina Obama lidhur me përdorimin kirurgjik të dronëve, shpesh shkaktues viktimash civile dhe pasojash kolaterale. Skandali mbi punën e NSA-së (National Security Agency), i njohur si Datagate, ka nxjerrë në pah nivelin e frikshëm të infiltrimit si në sferën private të amerikanëve nga ana e agjencisë së spiunazhit të brendshëm, ashtu edhe në atë të vetë aleatëve europiane (midis të spiunuarve janë edhe krerë qeverishë europiane). Obama ka dashur ta përballojë me një ligj reforme të sistemit të përgjimeve, i cili pa e hequr prerogativën e qeverisë për të spiunuar qytetarët e saj, zëvendëson pjesërisht Patriot Act e 2001 duke vendosur kufizime ndaj shkeljes së privatësisë personale.

Azia dhe Europa

Obama ka dështuar edhe ne frontin aziatik. Administrata e tij ka vendosur transferimin e shtyllës së politikës së jashtme amerikane nga Atlantiku në Paqësor (Pivot to Asia), duke iu drejtuar konsolidimit të aparatit amerikan në zonë (nëpërmjet United States Pacific Command) dhe përfundimit në lëmin ekonomik të një marrëveshjeje të shkëmbimit të lirë, midis vendeve kryesore bregdetare të Paqësorit (Trans Pacific Partnership) në funksion antikinez. Forcimi i containment në dëm të Kinës, i kaluar më pas nën emrin e “ribilancimit në Azi – Paqësor”, i ka ashpërsuar tensionet ushtarake dhe diplomatike në zonë. Është inkurajuar kështu aktivizmi ushtarak i Pekinit (dhe jo vetëm) në Detin e Kinës Jugore, ku nuk mungojnë provokimet e Shteteve të Bashkuara.

Dështimi i kësaj strategjie në frontin aziatik është salduar ndërkohë me dështimin në anën europiane, ku kriza e Europës, sa në profilin ekonomik, aq edhe në atë politik dhe ushtarak, nuk ka bërë gjë tjetër veçse është përkeqësuar. Shtrëngesa në të cilën është vënë Europa që të miratonte në dëm të vet sanksionet kundër Rusisë ka shkaktuar një frakturë të thellë midis vendeve proamerikane dhe vendeve prorurse, duke e shtyrë Rusinë që të lidhë një partneritet të qëndrueshëm me Pekinin, potencialisht në gjendje që të përmbysë primatin e Uashingtonit. Obama i ka dhënë jetë kështu një Lufte të Ftohtë të re, duke çuar në krizën më të keqe të raporteve midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në 20 vitet e fundit.

Globalizimi

Deri globalizimi i promovuar nga Uashingtoni duket se është vënë në diskutim nën Obamën. Në fushatë elektorale Trumpi ka interpretuar ndjenjat e pakënaqësisë ndaj marrëveshjeve të shkëmbimit të lirë të nënshkruar me Meksikën (NAFTA) dhe në rrugë miratimi me vendet transpaqësore (TPP). Pikërisht TPP-ja, që forcon containment ekonomik ndaj Kinës, duket se tashmë është arkivuar, ndërsa është braktisur në muajt e kaluar edhe TTIP-ja (Transatlantic Trade and Investment Partnership), zona e shkëmbimit të lirë midis Europës dhe Shteteve të Bashkuara, edhe pse këto të fundit, të dalë nga dera, mund të rihyjnë nga dritarja nëpërmjet CETA-s (Comprehensive Economic and Trade Agreement), marrëveshja e shkëmbimit të lirë e miratuar kohët e fundit midis Europës dhe Kanadasë. Të dyja marrëveshjet shërbenin për ta lidhur Europën me Lindjen e Largme me fatet e Uashingtonit, respektivisht në funksion antirus dhe antikinez. Si rezultat i braktisjes së TPP-së, Kina është aktivizuar për të rilançuar një “partneritet ekonomik rajonal”, alternativa kineze ndaj zonës doganore të Shteteve të Bashkuara midis vendeve aziatike.

Konkluzione

Goditja më e rëndë e pësuar në 8 vitet e Presidentit Obama ka qenë sigurisht deklasimi i Shteteve të Bashkuara nga “vend i domosdoshëm” në vend të detyruar që të matet, me hir apo me pahir, në një plan multilateral me vende të tjera të të njëjtit rang; jo më superfuqia e vetme globale. Primati i Shteteve të Bashkuara, të bëra tashmë një aktor midis të tjerëve në kuadrin e fuqive botërore, është zhdukur “prapa kuintave” të një rendi multipolar. Është parë kohët e fundit kur Shtetet e Bashkuara janë sfiduar haptazi nga Turqia e Erdoganit me rastin e grusht shtetit të dështuar dhe nga Filipinet e Dutertes, i cili duke shpallur prishjen e martesës me Uashingtonin, ka inauguruar një epkë të re marrëdhëniesh të përzemërta dhe paqësore me Pekinin. “Momenti unipolar”, tashmë i ezauruar, i lë hapësirë aktorëve ndërkombëtarë emergjentë, të afirmuar si protagonistë në vijim të shkolonizimit dhe të ezaurimit të dominimit kolonial europian.

Nëse qëndrimi i Obamës ndaj Iranit ka mundësuar arritjen e marrëveshjes bërthamore (që duket se do të vihet në pikëpyetje nga Trump), ajo nuk e ka prishur aspak aleancën strategjike me petromonarkitë e Gjirit dhe sidomos me Riadin, me të cilin Uashingtoni ka kryer një luftë agresioni kundër Jemenit. Të njëjtat tensione me Izraelin për çështjen palestineze nuk kanë prodhuar asgjë pozitive.

Nëse braktisja e TTIP-së dhe qëndrimi i Trump ndaj Europës nuk i shërbejnë unitetit transatlantik, as retorika e presidentit të sapozgjedhur ndaj NATO-s nuk duket se e ndihmon shumë këtë unitet. Që projekti për t’i çuar deri në dyert e Rusisë kufijtë e NATO-s përfaqëson këngën e mjellmave të Aleancës Atlantike? Sigurisht, neoizolacionizmi i ri i promovuar nga Trump duket se evokon atë të viteve Njëzet e Tridhjetë e shekullit të kaluar dhe  shkon dorë më dorë me vokacionin internacionalist liberal që ka frymëzuar Shtetet e Bashkuara qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Problemi do të jetë të verifikohet sesa një “izolacionizëm” i tillë do të nënkuptojë një fund të ndërhyrjeve në punët e vendeve të tjera, apo nëse izolacionizmi (Ekonomik? Apo edhe ushtarak?) i predikuar nga Trumpi nuk do të jetë një rishfaqje, me modalitete të ndryshme, e protagonizmit muskulor të Shteteve të Bashkuara që njohim prej nga nuk mbahet mend. Edhe pse historia në mëson se kampionët e ndërhyrjes amerikane kanë qenë demokratët (traditë e konsoliduar nga vetë presidenca Obama), nuk është e thënë që nën presidencën republikane të Trumpit të asistohet në pëkuljen në vetvete të forcës amerikane. Do të shikohet nëse ai do të propozojë një izolacionizëm të vërtetë, apo të operojë në rrugën e më të fundit prej pararendësve të tij republikanë.

(nga Geopoliticus)

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / www.bota.al

Senatorët McCain dhe Graham vizitojnë shtetet balltike

Senatorët republikanë John McCainn dhe Lindsey Graham po vizitojnë shtetet balltike në përpjekje për të shuar shqetësimin e tyre lidhur me politikat e mbrojtjes që do të zbatojë administrata e presidentit Trump në kuadër të NATO-s. Dy senatorët i kanë bërë thirrje presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump të mbajë një linjë të ashpër ndaj Rusisë nisur nga qëndrimet e saj ndaj Ukrainës.

Senatorët republikanë John McCain dhe Lindsey Graham mbrritën sot në Estoni, vizitë që shihet si përpjekje për t’u dhënë sigurime shteteve baltike, të shqetësuara se presidenti i zgjedhur Donald Trump nuk do të jetë i angazhuar sa duhet në mbrotjen e tyre.

Gjatë fushatës, zoti Trump shkurajoi shumë njerëz në Estoni, Lituani dhe Letoni kur u shpreh se do të shohë kontributet e secilit vend në NATO përpara se të garantojë ndihmë.

Përfshirja e ushtrisë ruse në Ukrainë dhe Gjeorgji ka ushqyer frikën në Baltik se ish padroni i tyre sovjetik, mund të provojë diçka të ngjashme në këto shtete.

Senatorët McCain dhe Graham, që shquhen për një politikë mbrojtjeje agresive, i kanë kërkuar zotit Trump të mbajë një linjë të ashpër ndaj Rusisë, për shkak të asaj që e cilësojnë si “kapje territori” nga ana e Rusisë në Ukrainë.

“Kur shohim gjëra të tilla, si sulme kibernetike, që drejtohen nga Rusia, Kina dhe shtetë të tjera, kur shohim agresionin e vazhdueshëm mbi Krimenë dhe Ukrainën lindore, kur shohim kërcënim të vazhdueshëm mbi Gjeorgjinë, marrëdhënia jonë është ndoshta më e rëndësishme se sa ka qenë më parë”, tha senatori McCain gjatë një konference për shtyp.

“Mënyra më e mirë për të ndalur sjelljen e keqe të Rusisë është të kesh një ushtri të besueshme e të fortë dhe një aleancë të fortë në kuadër të NATO-s, pjesë e rëndësishme e së cilës është edhe Estonia”, shtoi ai.

Dy senatorët bënë thirrje për një panel dy palësh që të hetonte sulmet kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara, përfshirë përpjekjet që mendohet se ka bërë Rusia për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane.

“ Nuk ka dyshim që rusët kanë kryer sulm kibernetik. Por ka dyshime nëse kjo ka patur ndikim në rezultatin e zgjedhjeve. Nuk ka asnjë të dhënë deri tani se sulmi kibernetik rus dhe rrjedhja e informacionit, patën një efekt të prekshëm në rezultatin e zgjedhjeve”, tha senatori McCain.

Dy senatorët do të shkojnë të mërkurën në Letoni dhe të enjten në Lituani ku do të takohem me zyrtarë të lartë të këtyre vendeve.

Trump: OKB – “klub për njerëzit që të kalojnë kohë të mirë”

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vënë në pyetje efikasitetin e Kombeve të Bashkuara, duke thënë se organizata është vetëm një klub për njerëzit që të kalojnë kohë të mirë.

“OKB ka potencial aq të madh, por është bërë vetëm një klub për njerëzit që të mblidhen, të bisedojnë dhe të kalojnë kohë të mirë”, ka shkruar Trump në Twitter.

Komentet vijnë pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka votuar javën e kaluar për rezolutën që dënon vendbanimet e Izraelit në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.

Administrata Obama ka abstenuar nga votimi i kësaj rezolute, përkundër kërkesave të Trumpit që SHBA të ushtrojë të drejtën e vetos.

Trumpi mbyll fondacionin e tij humanitar

Trumpi tha të shtunën se vendimi i tij është marrë në mënyrë që të shmang konfliktin e interesit gjatë kohës sa do të jetë president

UASHINGTON – Donald Trump, i cili më 20 janar dhe zyrtarisht do të fillojë të ushtrojë detyrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka marrë një vendim për mbylljen e fondacionit të tij humanitar “The Trump Foundation”.

Trump tha të shtunën se vendimi i tij është marrë në mënyrë që të shmang konfliktin e interesit gjatë kohës sa do të jetë president. Për të njëjtat arsye ai ka paralajmëruar se tërhiqet edhe nga detyrat në fushën e biznesit që ka pasur.

Prokurori kryesor i New York-ut, Eric Schneiderman, më herët nisi një hetim kundër fondacionit që kishte detyruar të njëjtin të pezullojë mbledhjen e fondeve në kuadër të shtetit të New York-ut. aa

Editoriali më i famshëm në botë Po Virxhinia, Plaku i Vitit të Ri është ! E përktheu dhe përg. Elida Buçpapaj

Nga Francis P.Church, botuar së pari më 1897 në The New York Sun

Arriti Plaku i Vitit të Ri !

The New York Sun më 1897

Një editorial që ka mbi një shekull që vazhdon të bëjë histori

Po,Virxhinia, Plaku i Vitit të Ri është – Yes, Virginia There is a Santa Claus !

Nga Francis P. Church,

Publikuar së pari në The New York Sun më 1897

Me dëshirë të plotë i përgjigjemi letrës së mëposhtëme, duke shprehur në të njëjtën kohë, kënaqësinë tonë më të lartë se autorja e këtyre rreshtave rradhitet në numrin e miqve të gazetës The Sun:

Letra

I dashur Botues  —

Unë jam 8 vjeçe. Disa nga shokët e mi të vegjël më thonë se nuk ka Plak të Vitit të Ri. Babi më tha: “Nëse është tek gazeta The Sun, do të thotë se është.” Të lutem më thuaj të vërtetën, a ekziston Plaku i Vitit të Ri ?

Virginia O’Hanlon

E dashur Virxhinia,

shokët e tu të vegjël e kanë gabim. Ata janë infektuar nga skepticizmi i erës së skepticizmit. Ata nuk besojnë përveçse kur shohin. Ata mendojnë se nuk mund të ekzistojë asgjë që nuk është e kuptueshme prej mendjeve të tyre të vogla. Të gjitha mendjet, Virxhinia, qofshin të njerëzve të rritur apo të fëmijëve, janë të vogla. Në këtë universin tonë të pakufishëm, njeriu me intelektin e tij është i vogël sa një milingonë, nëse do ta krahasonim me botën pa kufi që e rrethon atë, si një masë nga aftësia e inteligjencies e të kuptuarit të së vërtetës dhe dijeve.

Po, Virxhinia, Plaku i Vitit të Ri ekziston. Ai ekziston aq sigurisht sa edhe dashuria, mirësia dhe përkushtimi që dihet se ekzistojnë, dhe ti e di se ato janë me bollëk duke i dhënë jetës suaj bukuri të plotë dhe gëzim. Helas! sa e zymtë dhe e mërzitëshme do të ishte bota nëse Plaku i Vitit të Ri nuk do të ishte! Pa Plakun e Vitit të Ri, bota do të ishte aq e zymtë dhe e trishtë sikur të mos ishte as Virxhinia. Atëhere nuk do të ekzistonte as besimi i pafajshëm fëmijënor, as poezia, as romanca që e lejon këtë ekzistencë. Ne nuk do ta njihnim as harenë dhe gëzimin, përveçse kur ta shihnim dhe preknim me shqisat tona. Drita e përjetëshme me të cilën fëmijëria e mbush botën do të ishte e fikur dhe e shuar.

Të mos besosh tek Plaku i Vitit të Ri do të ishte njëlloj sikur të mos i besoje magjisë së përrallave. Ti mund ta bindësh babin tënd gjatë gjithë periudhës së Krishtlindjeve të pajtojë në punë njerëz që të ruajnë nëpër oxhakë për të kapur një Plak të Vitit të Ri, por edhe nëse askush nuk sheh një Plak të Vitit të Ri, e çfarë provon kjo? Askush nuk e shikon Plakun e Vitit të Ri, por kjo nuk është një provë se Plaku i Vitit të Ri nuk është. Gjërat më reale në këtë botë janë ato të cilat as fëmijët dhe as njerëzit e rritur nuk mund t’i shohin.

A i keni parë ju ndonjëherë shtojzavallet e përrallave duke kërcyer mbi lëndinë? Natyrisht që jo, por kjo përsëri nuk është një provë se ato nuk janë. Askush nuk mund të çojë në mendje dhe të parafytyrojë të gjitha mrekullitë e kësaj bote që janë të padukshme dhe të pamundshme për t’u parë.

Ju e hapni rraketaken e foshnjës dhe shikoni çfarë e bën zhurmën përbrenda, por është një vel që mbulon botën e paparë të cilin as burri më i fuqishëm, madje as forca e bashkuar e të gjithë burrave më të fuqishëm që jetuan ndonjëherë nuk mund ta hapë atë.

Vetëm besimi, poezia, dashuria, romanca mund ta shtyjnë mënjanë atë perde dhe të shohin e ta pikturojnë bukurinë hyjnore dhe lavdinë përtej. Është e gjuha reale? Oh, Virginia, në gjithë këtë botë nuk ka asgjë tjetër më reale dhe më të vërtetë.

Nuk ka Plak Të Vitit të Ri ?! Jo faleminderit Zotit ! Ai jeton dhe do të jetojë përgjithënjë. Një mijë vjet përpara se tani, Virxhinia, dhe më tepër se 10 herë me nga 10000 (dhjetë mijë) vjet prej tani, ai do të vazhdojë të bëjë të lumtura zemrat e fëmijërisë.

Rreth asaj që e shkroi dhe atij që iu përgjigj letrës

Editoriali i Francis P. Church – “Po, Virxhinia, Plaku i Vitit të Ri është „ “Yes Virginia, There is a Santa Claus” u kthye në një sensacion të vërtetë, duke u bërë një ndër editorialet më të famshme të botuar ndonjëherë. Për herë të parë u botua tek The New York Sun në 1897, njëqind e dymbëdhjetë vite duke u botuar për çdo vit për një gjysmë shekulli deri më 1949, kur gazeta nuk u botua më.

Tridhjetë e gjashtë vjet pas botimit të letrës, vetë Virginia O’Hanlon do të kujtonte se çfarë e bëri atë që ta shkruante këtë letër:

“Shumë normalisht unë besoja tek Plaku i Vitit të Ri, sepse ai asnjëherë nuk më kishte zhgënjyer mua. Por kur fëmijë jo aq fatlumë si unë filluan të thoshin se nuk ekziston ndonjë Plak të Vitit të Ri, unë u mbusha me dyshime. Unë e pyeta tim atë, dhe ai ishte pak i mjegullt në këtë subjekt.

“Në familjen tonë e kishim për zakon, sa herë që kishim ndonjë dyshim, edhe kur ishte në pyetje se si shqiptohet një fjalë ose kishim ndonjë dyshim për ndonjë fakt historik, ne i drejtoheshim rubrikës Pyetje dhe Përgjigje tek gazeta The Sun. Andaj im atë gjithnjë na thoshte,  ‘Nëse ju e shihni atë tek The Sun, do me thënë se është,’ dhe kjo e zgjidhte çështjen.

“ ‘Mirë, do t’i shkruaj The Sun për të zbuluar si është e vërteta reale,’ i thashë unë tim eti.

“Ai më tha, ‘Shumë mirë Virxhinia, ashtu bë. Dhe unë jam i bindur se The Sun do të të japë ty përgjigjen e duhur, ashtu si vepron zakonisht.’ ”

Dhe kështu Virxhinia u ul dhe ia drejtoi letrën e saj gazetës së preferuar të prindërve.

Letra e saj gjatë rrugëtimit ra në duart e veteranit editor, Francis P. Church (22 shkurt1839 – 11 prill 1906. I biri i një kleriku të lartë Baptist, Church kishte mbuluar për gazetën The New York Times rubrikën e Luftës Civile dhe kishte punuar për 20 vjet rresht tek The New York Sun, më së fundmi si një editor-shkrimtar anonim. Church, një njeri sardonik, me një ironi therëse, e kishte moto të tij personale, “Përpjekja për të qartësuar mendjen tënde nga e pamundura.” Kur subjekte kontraverse botoheshin në faqet e gazetës, veçanërisht kur kishin të bënin me teologjinë, përgjigjet jepeshin nga Church.

Në rastin tonë, ai mori në duart e tij letrën e vajzës së vogël 8 vjeçare e cila kishte të bënte me një çështje thellësisht kontraverse, dhe ai u mbush me përgjegjësi për t’i kthyer përgjigje.

“A ekziston Plaku i Vitit të Ri ?” një zhgarravinë fëmijënore pyet në një letër. Menjëherë,  Church e diti se nuk kishte asnjë rrugëdalje për t‘iu shmangur kësaj pyetjeje. Ai duhej të përgjigjej, dhe duhej të jepte një përgjigje të besueshme për fëmijën. Dhe kështu bëri. U ul në tavolinën e tij të punës dhe filloi të jepte përgjigjen, e cila do të bëhej njëri prej editorialëve më të paharrueshëm në historinë e gazetarisë.

Pak pas botimit të editorialit, Church u martua, por vdiq shpejt, në prillin e 1906, duke mos lënë pas fëmijë.

Virginia O’Hanlon mbaroi Hunter College duke u diplomuar në Arte (Bachelor of Arts) në moshën 21 vjeç. Në vitet e mëpastajme ajo mori një Master në Universitetin Columbia, dhe më 1912 filloi të jepte mësim në një shkollë të New York City. Më vonë u bë drejtuese. Pas 47 vjet pune, ajo doli në pension. Përgjatë gjithë jetës ajo pati një korrespondencë të pafund në lidhje me letrën e saj për Plakun e Vitit të Ri, dhe çdo përgjigjeje që shkruante ajo i bashkangjiste kopjen e editorialit të Church.Virginia O’Hanlon Douglas vdiq më 13 maj të vitit 1971, në moshën 81 vjeçare, në një klinikë në Valatie, N.Y./  Përgatiti dhe përktheu Elida Buçpapaj

 

Obama nënshkruan Ligjin e ri për mediet ndërkombëtare

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, e ka nënshkruar legjislacionin e ri, me të cilin konsiderohet se do të konsolidohet mbikëqyrja e transmetuesve joushtarakë të Shteteve të Bashkuara, duke i lënë ata në dorën e një shefi ekzekutiv të vetëm.

Ky është një rishikim, që është përshëndetur nga mbështetësit si reformë shumë e nevojshme, por kritikët kanë tërhequr vërejtjen se mund ta rrezikojë pavarësinë gazetareske.

Legjislacioni, që është pjesë e ligjit më të gjerë për shpenzimet e mbrojtjes së Shteteve të B,ashkuara për vitin 2017, të cilin zoti Obama e ka shndërruar në ligj duke e nënshkruar, e ristrukturon Bordin e Guvernatorëve të Transmetuesve (BBG), që është agjenci për mbikëqyrjen e transmetuesve qeveritarë civilë dhe të operacioneve të mediave, ku përfshihen edhe Radio Evropa e Lirë/Radio Liria dhe Zëri i Amerikës.

Me legjislacionin e ri do të zëvendësohet BBG-ja dypartiake me një bord këshilldhënës, i nominuar nga presidenti, që nuk do të ketë autoritet për vendimarrje. Por, këtë autoritet do ta ketë shefi ekzekutiv që nominohet nga Shtëpia e Bardhë dhe është subjekt i konfirmimit të Senatit të Shteteve të Bashkuara.

Mbështetësit e këtij legjislacioni, që është udhëhequr nga republikani nga Kalifornia, Ed Royce, anëtar i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, dhe administrata e presidentit, Barack Obama, thonë se ai do ta përmirësoj efikasitetin e transmetuesve ndërkombëtarë të Shteteve të Bashkuara, duke e eliminuar BBG-në e tashme, që përbëhet nga anëtarët që shërbejnë gjysmë orari të punës dhe nuk takohen rregullisht.

Por, kritikët e këtij legjislacioni kanë ngritur shqetësime se ai mund ta dëmtojë integritetin gazetaresk të mediave nën ombrellën e agjencisë. Kritikët thonë se autoriteti i këtillë në duart e shefit ekzekutiv të emëruar nga Shtëpia e Bardhë, mund t’i cenoj të drejtat editoriale në raportet ndërmjet mediave dhe qeverisë.

Shefi ekzekutiv i Bordit të Guvernatorëve të Transmetuesve (BBG), John Lansing, mbetet në këtë post, që ishte krijuar vitin e kaluar. Por, kundërshtarët e legjislacionit kanë tërhequr vërejtjen se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili ka raporte kundërthënëse me mediat, mund të synoj instalimin e lojalistit, i cili do ta përdorë agjencinë si mjet në agjendën e zotit Trump.

Në një intervistë të publikuar më 13 dhjetor në rrjetin Fox News, Ed Royce i ka hedhur poshtë këto vërejtje duke i cilësuar ato si “histeri”.

Disa e paraqesin këtë si maskim, por kjo nuk ka asgjë të përbashkët me presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump”, tha Ed Royce.

John Lansing në një letër te personeli, më herët këtë muaj, ka shkruar se legjislacioni “nuk e ndryshon kufirin ndërmjet qeverisë federale dhe gazetarëve të pesë rrjeteve tona”.

Mbajtja e pavarësisë sonë gazetareske dhe kredibiliteti ynë në gjithë botën, mbetet i rëndësisë më të madhe”, ka shkruar Lansing.

Derisa Zëri i Amerikës është agjenci federale dhe formalisht pjesë e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, Radio Evropa e Lirë/Radio Liria dhe organizatat e saj simotra, Radio Azia e Lirë dhe Radio Marti, janë koorporata të pavarura me bordet e tyre të veçanta editoriale, të financuara nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, të gjitha ato mibikëqyren nga BBG-ja.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Barack dhe Michelle Obama urojnë për Krishtlindje

Michelle dhe Barack Obama

Presidenti dhe Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Barack dhe Michelle Obama, i kanë uruar besimtarët katolikë për festën e Krishlindjeve.

Në fjalimin vjetor me rastin e Krishtlindjeve, të publikuar sot, presidenti Obama tha se për të dhe bashkëshorten e tij Michelle, dhurata më e madhe ishte që “gjatë tetë viteve të fundit kanë shërbyer si president dhe Zonja e parë”.

Mëtutje, zoti Obama, theksoi:

“Derisa ne e presim Vitin e Ri, të lejojmë me vendosmëri ta ripërkushtojmë vetveten për vlerat që ne i ndajmë. Në emër të gjithë familjes sime – me fat Krishtlindjet”, tha Barack Obama.

Ka uruar edhe Michelle Obama:

“Ne ju urojmë juve dhe familjeve tuaja lumturi dhe shëndet në vitin 2017. Faliminderit dhe Zoti nga bekoftë”, tha Michelle Obama.

Në gjithë botën, besimtarët katolikë sonte i shënojnë Krishtlindjet.

SHBA: Izraeli të ndërpresë ndërtimet ilegale

“SHBA i dërgoi mesazh Izraelit se duhet ndaluar ndërtimin e vendbanimeve të cilat zgjasin për 50 vite”, tha Power pas votimit të rezolutës

NEW YORK – Ambasadorja e SHBA-së në OKB Samantha Power, në lidhje me miratimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në kërkesën për dhënien fund të ndërtimit të vendbanimeve të paligjshme izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor, theksoi se SHBA-të me këtë vendim i dërgojnë mesazh Izraelit.

“SHBA i dërgoi mesazh Izraelit se duhet ndaluar ndërtimin e vendbanimeve të cilat zgjasin për 50 vite”, tha Power pas votimit të rezolutës.

Ajo gjithashtu vuri në dukje se në vitet e fundit ka pasur rritje në numrin e njësive të banimit në vendbanimet izraelite, të cilat, siç tha ajo, përbëjnë një kërcënim për idenë e zgjidhjes me dy shtete.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së të premten miratoi rezolutën e cila kërkon dhënien fund të ndërtimit të paligjshëm të vendbanimeve izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe në Jeruzalemin Lindor. SHBA-të për herë të parë abstenuan.

Trumpi: Perëndimi të luftojë kundër ekstremizmit islamik

Një video e grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), e publikuar mbrëmë nga agjencia e militantëve, Amaq, ku shihet i dyshuari për sulmin në Berlin, Anis Amri, duke shprehur lojalitet ndaj IS-it, është komentuar ashpër nga presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump.

Zoti Trump, që kishte shprehur përkushtim për “eliminimin” e grupeve terroriste, e ka shfrytëzuar këtë video për të kërkuar nga shoqëritë perëndimore që të përgjigjen “me luftë” kundër ekstremizmit të dhunshëm islamik.

“Terroristët që i kanë vrarë aq shumë njerëz në Gjermani, pak para krimit thanë se – me vullnet të Zotit ne do t’ju vrajmë juve derra”, ka shkruar zoti Trump në rrjetin Twitter, dhe ka shtuar se “ky është kërcënim i pastër fetar, që u shndërrua në realitet”.

“Kaq urrejtje…kur Shtetet e Bashkuara dhe të gjitha vendet do të përgjigjen me luftë?”, pyetet Trump.

Autoritetet thonë se Anis Amri, personi i dyshurar për sulmin në Berlin më 19 dhjetor, nga i cili janë vrarë 12 vetë, është vrarë nga policia italiane.

Shqetësime nga informacioni që ekipi i zotit Trump i kërkon DASH-it

Të enjten zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit mbrojtën vendimin e tyre për t’i dhënë ekipit të trazicionit të presidentit të zgjedhur Donald Trump, informacionet e kërkuara lidhur me “programet dhe aktivitetet ekzistuese që nxisin barazinë gjinore.”

“Është e kuptueshme qe ne do të shqetësoheshim në se, për shembull, do të na kërkohej një listë specifike me emra punonjësish”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby. “Kjo nuk do të ishte diçka për të cilën ne do të angazhoheshim.”

Të mërkurën në ndërtesën federale “Truman”, ku ndodhet Departamenti i Shtetit, u shpërnda një “dokument për tranzicion të shpejtë”, i cila kërkonte përgjigje deri në orën 5 pasdite, për materiale mbi politikat dhe financimet, për çeshtje që lidhen me “përpjekjet kundër dhunës gjinore, dhe për programet për të nxitur pjesëmarrjen e grave në sferat ekonomike politike, sipërmarrje, etj.”

Ligjvënësi i Nju Jorkut Eliot Engel, anëtari i Komisionit të Kongresit për Marrëdhënie me Jashtë, përmes një deklarate që u sigurua nga zyra e lajmeve e Zërit të Amerikës, thotë se ai dhe kolegët e tij demokratë e kanë bërë të qartë, se “vënia në shënjestër e punonjësve të Departamentit të Shtetit nga ekipi i tranzicionit të zotit Trump është e papranueshme, prandaj jam i shqetësuar nga njoftimet se duke u veçuar disa zyra të këtij institucioni”, thuhet në deklaratën e zotit Engel.

Një zyrtar i Kongresit në pozicion ndihmësi, i cili komentoi për Zërin e Amerikës në kushtet e anonimitetit, tha se kjo lloj kërkese “mund të krijojë alarm” në Kongres.

“Nuk ka asgjë të keqe të tregosh se cilat vende do të plotësohen nga të emëruarit e Presidentit, apo për zyrtarët e shërbimit me jashtë, si diplomatët e karrierës, – u tha gazerëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Kirby. “Kjo është diçka normale. Është njëlloj sikurse në anije vjen një kapiten i ri, i cili duhet informuar për ekipin e anijes dhe punët që duhen kryer.”

Por ligjvenësi Engel thotë në deklaratën e tij se “zyrtarët e ekipit të tranzicionit duhet të shpjegojnë përse ata po e grumbullojnë këtë lloj infromacioni”.

Zëdhënësi Kirby tha se kërkesa e ekipit të zotit Trump mund të lidhet me një përpjekje për të konstatuar se çfarë programesh në Departementin e Shtetit fokusohen tek mbështetja për planifikimin familjar (përfshirë abortin), apo të drejtat e homoseksualëve, çështje të cilat kundërshtohen me forcë nga disa politikanë dhe grupe tepër konservatore në Shtetet e Bashkuara.

Diplomatë të karrierës dhe punonjës të shërbimit publik të Departamentit të Shtetit, i shprehën Zërit të Amerikës shqetësim të madh pas kërkesës nga ekipi i tranzicionit. Ata thanë se edhe në se Hillary Clinton do t’i kishte fituar zgjedhjet, do të kishte patur shqtësime lidhur me ndryshime të personelit të nivelit të lartë, por tani ekziston frika për ndryshime të papritura nën administratën e zotit Trump.

Hillary Clinton, që i humbi zgjedhjet e nëntorit, gjatë kohës që shërbente si sekretare shteti, krijoi një pozicion të ri, atë të një ambasadori për çështjet globale të grave dhe i kushtoi rëndësi përpjekjeve në këtë fushë; kjo politikë ka vazhduar edhe nga pasardhësi i zonjës Clinton, Sekretari John Kerry.

“Barazia gjinore mbetet e një çështje me rëndësi të madhe,” i tha gazetarëve zëdhënësi Kirby.

Departamenti i Shtetit i ka informuar disa anëtarë të Kongresit që kanë shprehur shqetësim se nuk do t’i pranonte kërkesat e administratës së re, që mund të çonte në veprime hakmarrëse ndaj punonjësve të sektorit publik.

Kjo siguri është shprehur në një përgjigjeje jo-zyrtare ndaj një letre që të gjithë ligjvënësit demokratë të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Kongres i kishin dërguar Departamentit të Shtetit, sipas disa burimeve të kontaktuara nga Zëri i Amerikës.

Diplomatët amerikanë premtuan një përgjigje zyrtare ndaj letrës së ligjvenësve demokratë dërguar sekretarit Kerry. Kjo ndodh pas një kërkese që ekipi i tranzicionit të zotit Trump i kishte dërguar Departamentit të Energjisë, ku kërkoheshin emrat e zyrtarëve që punonin në programet që lidhen me ndryshimet klimatike.

“Ne besojmë se Departamenti juaj duhet të punojë për të siguruar një kalim të pushtetit pa probleme. Megjithatë, punonjës civilë, ata të shërbimit me jashtë, sikurse edhe të tjerë, nuk duhen vënë në shënjestër për punën e tyre në mbështetje të poliktikave që bien ndesh me ato të administratës së ardhshme” thuhet në letrën dërguar zotit Kerry. “Sipas pikëpamjes sonë, grumbullimi i emrave në këtë mënyrë, i ngjan kapitujve të errët të historisë sonë, me lista të armiqve dhe përndjekje politike.”

Në letrën e ligjvenësve demokratë thuhet se Sekretari Kerry dhe Departamenti i Shtetit kanë “mbështetjen e plotë në përpjekjet për të mbrojtur punonjësit publikë të deparatmentit”.

Departamenti i Energjisë thotë se refuzoi që t’i jepte ekpit të tranzicionit të zotit Trump listën e punonjësve, apo kontraktorëve, të cilët kanë marrë pjesë në takime për çështje të ngrohjes globale.

Punonjësit civilë “duhet të mos jenë pre e akteve hakmarrëse, thjesht ngaqë kanë ndjekur drejtimet e ligjshme politike të shefave të tyre. Një njeri profesionist, punonjës civil, jo politik, i cili zbaton ligjin, është mbrojtës i demokracisë perëndimore.” tha J. David Cox Sr, president i Federatës së Punonjësve të Qeverisë Amerikane. “Të gjithë, pavarësisht nga përkatësia partiake, duhet t’i zemërojë çdo përpjekje për të politizuar një agjenci qeveritare. Ne nuk mund të lejojmë kthimin tek politikat e përndjekjeve të viteve 1950.”

Zëri i Amerikës i kërkoi komente për këtë çështje ekipit të tranzicionit të zotit Trump, po nuk ka marrë përgjigje.

Trumpi emëron zëdhënësin e Shtëpisë së Bardhë

Uashington, 23 dhjetor – Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se ka përfunduar së formuari ekipin e tij të komunikimit, duke bërë zëdhënësin aktual të partisë republikane zërin e Shtëpisë së Bardhë dhe të administratës së tij të ardhshme.

Sean Spicer u emërua zëdhënës i ekzekutivit dhe do të ngarkohet gjithashtu me marrëdhëniet me median, sipas një komunikate të ekipit të tranzicionit të Donald Trump, që do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.

Tre persona të tjerë janë emëruar gjithashtu në ekipin e tij të komunikimit. Jason Miller, drejtor i komunikimit, Dan Scavino, drejtor për median sociale dhe Hope Hicks, që është zëdhënësi aktual i ekipit të tranzicionit të presidentit të ardhshëm, do të drejtojë strategjinë e komunikimit.

Trumpi kërkon të shtojë arsenalin bërthamor të SHBA-ve

Presidenti i zgjedhur Donald Trump tha se kërkon “të forcojë dhe zgjerojë” kapacitetet bërthamore të Shteteve të Bashkuara.

Zoti Trump tha në Tweeter sot se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmarrin veprime të tilla “derisa bota të kuptojë seriozitetin e armëve bërthamore”.

((https://twitter.com/realDonaldTrump/status/811977223326625792))

Deklarata e zotit Trump vjen një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin bëri komente të ngjashme duke thënë se arsenali bërthamor i vendit të tij duhet “të shtohet në mënyrë të konsiderueshme.”

Gjatë një fjalimi për fushata të ndryshme ushtarake që Rusia ka nisur në vitin 2016, zoti Putin tha se përmirësimet janë të nevojshme për të “neutralizuar çdo kërcënim ushtarak”.

Sulmi në Orlando: Familjet e viktimave padisin rrjetet sociale

Të afërmit e tre prej 49 viktimave të sulmit që ndodhi verës në një klub nate në Florida e kanë paditur Twitterin, Google dhe Facebook-un me akuzën se këto rrjete sociale kanë ofruar “përkrahje materiale” për autorin e sulmit.

Omar Mateen ka vrarë 49 persona në klubin e natës, Pulse në Orlando në muajin qershor, sulm ky i cilësuar më i rëndi me armë zjarri në historinë moderne amerikane.

Mateen, që është vrarë nga policia pas sulmit, ishte vetdeklaruar si përkrahës i grupit militant, Shteti Islamik.

Familjet e tre viktimave të këtij sulmi, pretendojnë se Twitter, YouTube që është pronë e Google dhe Facebook kanë “mundësuar që grupi terrorist të ketë profile dhe përmes tyre të shpërndajnë propagandë ekstremiste, të mbledhin fonde dhe të sigurojnë rekrutë të rinjë”.

Padia thotë se “përkrahja materiale ka qenë instrumentale” për rritjen e IS-it duke “mundësuar për ta që të kryejnë sulme apo të shkaktojnë kryerjen e shumë sulmeve terroriste”.

Padia është bërë më 20 dhjetor në një gjykatë federale të Detroitit, ndërsa të njejtën ditë, Facebook përmes një komunikate ka thënë se ata janë të “përkushtuar që të ofrojnë shërbime aty ku njerëzit ndjehen të sigurt për të përdorur Facebook-un”.

Facebook, Google, Twitter, dhe Microsoft kanë thënë gjatë këtij muaji se ata do e përmirësojnë bashkëpunimin në mes tyre për heqjen e përmbajtjes ekstremiste.

SHBA: Sanksione shtesë për disa rusë, Kremlini i kritikon ato

Yevgeny Prigozhin është i përfshirë në listën e re të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara

Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, i ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për imponim të sanksioneve kundër disa individëve dhe organizatave për shkak të agresionit të Moskës në Ukrainë.

Zoti Peskov tha sot se sanksionet janë për “keqardhje” dhe ka theksuar se këto masa janë “kokëfortësi shkatërruese e një pjese të kolegëve tanë amerikanë”.

Sipas tij, politika e Shteteve të Bashkuara për imponim të sanksioneve “shkakton dëm serioz në raportet tona biletarale” dhe Rusia “do të ndërmerr masa adekuate” në përgjigje të sanksioneve më të reja amerikane.

Shtetet e Bashkuara mbrëmë kanë imponuar sanksione kundër më tepër shtetasve të Rusisë, për shkak të aktivitetit të Moskës në Ukrainë.

Ndër individët e përfshirë në këtë valë të sanksioneve është edhe një person i njohur se është i afërt me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Në listën e sanksioneve të Departamentit të thesarit të Shteteve të Bashkuara, janë shtuar shtatë rusë dhe dhjetëra kompani në Rusi dhe Krime, që është ishull në Detin e Zi të cilin Moska e ka aneksuar ilegalisht nga Ukraina, në vitin 2014.

Ndër emrat e përfshirë gjendet edhe personi, Yevgeny Prigozhin, biznesmen nga Shën Petersburgu, kompania e të cilit ishte furnizuese e Kremlinit.

Kerry hedh poshtë spekulimet se SHBA është e implikuar në atentatin e ambasadorit rus

Kirby në brifingun e rregullt tha se Kerry “ka shprehur shqetësim për disa spekulime se Amerika është e përfshirë në atentatin apo e ka mbështetur”

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, John Kirby të martën deklaroi se Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu ka shprehur shqetësim në lidhje me disa spekulime se SHBA është e përfshirë në atentatin e ambasadorit rus në Ankara, Andrey Karlov.

Kirby në brifingun e rregullt theksoi se Kerry “ka shprehur shqetësim për disa spekulime se Amerika është e përfshirë në atentatin apo e ka mbështetur nga fakti se Fethullah Gyleni ndodhet në SHBA”.

“Ky është një pretendim qesharak. Nuk ka asgjë që tregon se kjo është e vërtetë. Kerry gjatë bisedës së sotme na tha qartë këtë”, ka thënë Kirby.

Rikujtojmë se ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Çavuşoğlu të martën informoi Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry se organizata terroriste FETO qëndron pas vrasjes së Andrey Karlov, ambasadorit rus në Ankara.

Sipas burimeve diplomatike të Turqisë, Çavuşoğlu ka biseduar me telefon me Kerry-in, dhe me këtë rast ia kumtoi se atentatin në Ankara e ka kryer Mevlut Mert Altintas, duke vënë në dukje se pas atentatit të ambasadorit Karlov qëndron organizata terroriste FETO.

Ambasadori rus Karlov u vra të hënën në një sulm terrorist gjatë fjalimit në hapjen e një ekspozite fotografish në Ankara të organizuar nga Ambasada Ruse dhe komuna e Ankarasë Çankaja. aa

Trumpi: Ambasadori rus u vra nga një terrorist radikal islamik

Donald Trump ka dënuar vrasjen e Andrei Karlov, ambasadorit rus në Turqi.

“Sot i shprehim ngushëllimet tona familjes dhe më të dashurve të ambasadorit rus në Turqi, Andrei Karlov, i cili u vra nga një terrorist radikal islamik”, ka thënë Trump përmes një deklarate për media të lëshuar nga ekipi i tij i transicionit.

“Vrasja e një ambasadori është një shkelje e të gjitha rregullave të rregullit ndërkombëtar dhe duhet dënuar nga të gjithë”, transmeton Koha.net.

Karlov u qëllua për vdekje në një galeri arti në Ankara.

Ministria e Jashtme ruse ka thënë se këtë akt e konsideron “sulm terrorist”.

Turqi: Një person shtie me armë zjarri afër ambasadës amerikane

Ambasada amerikane dhe konsullatat e saj në Turqi do të mbahen të mbyllura pasi një person i është afruar ambasadës në Ankara dhe ka shtënë me armë zjarri.

Ambasada ka thënë se personi që ka gjuajtur me armë rreth orës 3:50 të mëngjesit të sotëm, sipas kohës lokale, është paraburgosur nga policia.

Agjencia shtetërore turke e lajmeve, Anadolu, ka raportuar se personi i paraburgosur ka nxjerrë një pushkë gjahu të fshehur nën pallton e tij dhe ka shtënë tetë herë. Ai më pas është ndaluar nga stafi i sigurisë së ambasadës.

Nuk raportohet për të lënduar në këtë incident, që ka ndodhur disa orë pasi ambasadori rus në Ankara, Andrei Karlov është vrarë në një galeri arti në Ankara, nga një polic turk që nuk ishte në detyrë.

Krahas ambasadës amerikane në Ankara, edhe konsullata amerikane në Stamboll dhe ajo në qytetin jugor turk, Adana gjithashtu do të mbahen të mbyllura më 20 dhjetor./REL

Bill Clinton: Rusët dhe FBI, fajtor për humbjen e Hillary Clinton

Ish presidenti amerikan, Bill Clinton ka votuar për bashkëshorten e tij Hillary si pjesëtar i Kolegjit Elektoral të New Yorkut më 19 dhjetor, dhe më pas ka fajësuar “rusët” dhe FBI për humbjen e saj ndaj Donald Trumpit në zgjedhjet e 8 nëntorit.

“Ajo ka luftuar kundër të gjithave. Dhe, ajo ka mbijetuar kundër të gjithave, por në fund u përfshinë rusët dhe FBI dhe ajo nuk mund t’ia dilte kundër tyre”, ka thënë ai.

Clinton javën e kaluar ka thënë se ai beson që Rusia është përgjegjëse për ndërhyrjen kibernetike dhe publikimin e emaileve të brendshme të demokratëve dhe dokumenteve për dëmtimin e fushatës zgjedhore të bashkëshortes së tij.

Ai gjithashtu iu ka referuar një njoftimi të FBI-së vetëm 10 ditë para zgjedhjeve të 8 nëntorit se po e rihapte hetimin për emailat e Clinton.

Hillary Clinton, gjatë javës së kaluar ka thënë se sulmet kibernetike ishin hakmarrja e presidentit rus, Vladimir Putin për kritikat e saj gjatë zgjedhjeve ruse të vitit 2012./REL

Donald Trump zyrtarisht president

Nga arkivi

 

Miliarderi Donald Trump u zgjodh të hënën zyrtarisht president i 45-të i Shteteve të Bashkuara, pas konfirmimit nga Kolegji Elektoral.

Ai do të bëjë betimin më 20 janar.

Në SHBA, zgjedhjet presidenciale nuk përcaktohen nga vota popullore, por nga rezultatet në votimin në secilin prej të 50 shteteve si dhe në kryeqytetin Uashington.

Fituesi i votës popullore në çdo shtet normalisht merr të gjitha votat e Kolegjit Elektoral të atij shteti, të cilat janë të ndara në proporcion me popullsinë e shtetit. Anëtarët e kolegjit elektoral hodhën votat e tyre të hënën në kryeqytetet e shteteve përkatëse.

Kandidatja demokrate, ish-sekretare amerikane e shtetit Hillary Clinton, mundi zotin Trump me rreth 2.9 milion vota më shumë në votën popullore. Por republikani Donald Trump fitoi në ato gara që kanë më shumë rëndësi duke marë 302 vota të Kolegjit Elektoral kundrej 232 votave që mori zonja Klinton.

Hillari Klinton fitoi shumicën e votave në Kaliforni dhe Nju Jork që i dhanë asaj një avantazh në votën popullore në shkallë vendi, ndërsa Donald Trump fitoi shtetet e mjaftueshme për të siguruar avantazh në Kolegjin Elektoral dhe një mandat katër-vjeçar si president i vendit. Kjo është hera e pestë në historinë e SHBA-së, dhe e dyta në 16 vitet e fundit, që fituesi i votës popullore nuk fiton votën e Kolegjit Elektoral.

Në shumicën e rasteve, votimi në Kolegjin Elektoral është një formalitet. Por ndryshe ishte këtë vit. Për shkak të garës tepër të kontestuar dhe kundërshtimit të vazhdueshëm të fitores së zotit Trump nga shumë përkrahës të zonjës Klinton, mijëra amerikanë u kërkuan 306 elektorëve republikanë të Kolegjit që ta refuzonin zotin Trump, qoftë duke votuar për zonjën Klinton apo për një tjetër republikan më të pranueshëm.

Nëse votimi do të përfundonte në barazim 269 – 269, atëherë çështja do të kalonte në Dhomën e Përfaqësuesve e cila do të zgjidhte presidentin.

Shumica e anëtarëve të Kolegjit Elektoral janë të detyruar me ligj të votojnë për kandidatin që fitoi votat e shtetit. Rastet që vota t’i jepet dikujt tjetër nuk janë të padëgjuara në politikën amerikane, por janë të rralla, që kur Kolegji Elektoral filloi të përdorej për herë të parë në vitin 1789.

Presidenti i zgjedhur Trump e kritikon Kinën

Presidenti i zgjedhur Donald Trump, në përfundimin të turneut të falenderimeve – një seri mitingjesh për të festuar fitoren e tij zgjedhore muajin e kaluar – në një fjalim në Alabama shprehu pikëpamjen e tij se si gazetarë të pandershëm u përpoqën ta përshkruajnë atë si kandidat republikan i cili nuk mund të fitonte.

Para një audience prej disa mijëra njerëzve në qytetin Mobile me rreth 200.000 banorë, zoti Trump tha se fushata e tij kishte filluar me njoftime të padrejta.

Si edhe në mitingjet e mëparshme, Donald Trump përsëriti premtimet për të ndërtuar një mur në kufirin meksikan dhe për të rinegociuar marrëveshjet amerikane të tregtisë. Ai theksoi synimin e tij për të filluar vetingun ekstrem të emigrantëve, për të mos lejuar hyrjen e ekstremistëve.

Në tubimin e së shtunës organizuar nga Partia Republikane mori pjesë edhe senatori Jeff Sessions i shtetit Alabama, i emëruar nga zoti Trump për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së.

Të shtunën në mbrëmje, Donald Trump postoi në Twitter një mesazh ku e përshkroi Kinën, si vjedhëse të sondës për kërkime shkencore në Detin e Kinës Jugore.

“Ne duhet t’i tregojmë Kinës se nuk e duam dronin që e vodhi, le ta mbajë”, – tha zoti Trump në Twitter, disa orë pasi ushtria amerikane njoftoi se kishte arritur mirëkuptim me Kinën për kthimin e dronit.

Sipas Pentagonit, sonda nënujore u kap të enjten duke mbledhur të dhëna shkencore në Detin e Kinës Jugore, territor që Kina thotë se është i saj.

Kina tha se ushtria e kapi sondën nënujore për të siguruar lundrim të sigurt të anijeve, por do ta kthejë atë.

Nuk dihet se çfarë efekti do të ketë mesazhi në Twitter i zotit Trump në marrëveshjen me kinezët.

Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës janë të tensionuara pas bisedës telefonike të presidentit të zgjedhur Trump me presidenten e Tavanit, Tsai Ing-wen më 2 dhjetor.

Zoti Trump tha se nuk ndjehej i detyruar për zbatimin e politikës së njohjes së një Kine të vetme, nëse SHBA nuk siguronte lëshime tregtare, ose përfitime të tjera nga Kina.

Kina e konsideron Taivanin si territorin e vet dhe thotë se do ta mbrojë me forcë, nëse e gjykon të nevojshme.

Nga Alabama, Donald Trump fluturoi për në Florida për t’u ribashkuar me familjen e tij, e cila arriti atje të premten për pushime me rastin e Krishtlindjeve.

Trump: Pekini ta mbajë dronin e konfiskuar

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka thënë se Uashingtoni duhet ta lë Kinën ta mbajë një dron nënujor të marinës amerikane, pajisjen që Pekini e konfiskoi në Detin e Kinës Jugore.

“Ne duhet t’i themi Kinës që nuk e duam dronin të cilin na vodhën – le ta mbajnë!”, ka shkruar Trump në profilin e tij në “Twitter”, më 17 dhjetor.

Postimi është bërë disa orë pasi Ministria e Mbrojtjes së Kinës dhe Pentagoni e kanë konfirmuar se ata kanë arritur pajtim për kthimin e dronit, të cilin Pekini e konfiskoi më 16 dhjetor, me qëllim të parandalimit të rrezikut që pajisja mund të paraqesë për navigimin e sigurt të anijeve dhe personelit të tyre.

Më 17 dhjetor, Trump e ka fajësuar Kinën për incidentin, duke e akuzuar Pekinin për “shqyerjen e dronin kërkues” prej ujrave ndërkombëtar.

Gjatë këtij muaji, Trump e ka zemëruar Kinën me vendimin që të bisedojë në telefon me presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-wen.

Ai gjithashtu ka thënë se nuk ndjehet i obliguar “ti përmbahet politikës së një Kine” rreth statusit të Tajvanit nëse Shtetet e Bashkuara nuk përfitojnë në aspektin e tregtisë apo ndonjë përfitim tjetër nga Pekini.

Satira politike, pjesë e debatit publik në SHBA

Satira politike ka një histori mbi 2000 vjeçare. Fillimet e saj i gjejmë në Greqinë e lashtë, por ajo mori popullaritet në vitet 1700 në kolonitë britanike që tani përbëjnë Shtetet e Bashkuara kur filluan të shfaqen karikaturat e veprimtarëve që kërkonin pavarësi nga Britania. Satira politike mund të rezultojë në burgosjen ose dënimin me vdekje të autorëve në disa vende, por në Shtetet e Bashkuara është e mbrojtur nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës që garanton lirinë e fjalës. Vitet e fundit satira është përhapur shumë në emisionet variete të mbrëmjes, ku hidhen thumba në adresë të politikanëve, përfshirë edhe prsidentët:

Politikanët janë në shenjestër të emisioneve variete çdo mbrëmje në televizionin amerikan. Në një edicion të emisionit “The Tonight Show”, prezantuesi Jimmy Fallon imiton Donald Trumpin.

“Donald Trumpi ishte në shenjestër të skeçeve gjatë fushatës presidenciale më tepër se kushto tjetër në çdo fushatë presidenciale,” thotë profesori i Universitetit George Mason, Robert Lichter.

Robert Lichter është bashkautor i një libri mbi emisionet argëtuese të mbrëmjes të titulluar Politika është për të Qeshur: Humoristët po Transformojnë Jetën Politike”.

Profesori Lichter mendon se disa prezantues të emisioneve argëtuese kanë qenë të pamëshirshëm me disa presidentë, por janë treguar më të rezervuar ndaj Barak Obamës:

Robert Lichter, Universiteti George Mason:

“Ai ishte presidenti i parë afrikano-amerikan. Humoristët ishin të vetëdijshëm se mund të shiheshin si racistë, nëse sulmonin Barak Obamën”.

Humoristi Jimmy Fallon: “Presidenti Obama tha se Kongresi duhet të rrisë tavanin e borxhit, pasi nuk jemi ‘magjistarë që nxjerrim lepurin nga kapelja’. Në fakt ata janë lodhur nga truket e fundit të magjisë, kur zhdukën mijëra vende pune”.

Satira politike filloi të bëhej më e pranishme në televizion në vitet 1960. Por në 1975 me fillimin e emisionit humoristik të të shtunave, Saturday Night Live, u revolucionarizua imitimi i politikanëve në ekran. Aktori Chevy Chase në atë kohë thumbonte Presidentin Gerald Ford për mungesë elokuence.

“Emisioni humoristik i së shtunës solli parodinë presidenciale në satirën politike,” thotë profesori Lichter.

Jay Leno, prezantues i emisionit The Tonight Show për 17 vjet nga 1992-2009 e zgjeroi popullaritetin e satirës politike në emisionet e mbrëmjes. Edhe emisione të tjera filluan të ndjekin të njëjtin format.

Jay Leno: “Presidenti Obama nuk po përdor më termin ‘Obamacare’ në fjalimet e tij. Tani ai e quan ‘Ligji për Kujdes Shëndetësor me Kosto të Përballueshme’. Nuk është shenjë e mirë kur edhe vetë Obama përpiqet të distancohet nga ‘Obamacare’.”

Në vitet 1990 emisionet variete të mbrëmjes jo vetëm që shërbenin për të argëtuar spektatorët, por edhe për t’i informuar mbi skandale, apo lajme rozë mbi politikanët. Në emisionin Saturday Night Live, humoristi Darrell Hammond imitonte Presidentin Bill Clinton pasi ai i mbijetoi procesit për ta hequr nga detyra:

Robert Lichter, Universiteti George Mason, thotë:

“Në vitet 1990, humoristët filluan të përqëndrohen tek skandalet, elementët e jetës private, jetës seksuale, veseve si alkoolizmi që deri atëherë kishin qenë tabu në televizion”.

Politikanët nga ana e tyre e kutpuan se në rastet kur përfshiheshin edhe vetë në skeçe, arrinin më mirë të përçonin mesazhin e tyre. Hillary Clinton në një rast luan rolin e një banakiereje:

“Unë jam një qytetare e thjeshtë që beson se projekti i tubacionit të naftës do të shkatërrojë mjedisin,” i përgjigjet zonja Clinton, përsëri në rolin e qytetares së thjeshtë, si banakiere.

Politikanët e kuptuan shumë shpejt se duke dalë në skeçe, dukeshin si njerëz të thjeshtë që dinin ta vinin veten në lojë,” thotë profesori Lichter.

Zoti Trump ishte dy herë në emisionin Saturday Night Live. Por gjatë javëve të fundit ai e ka kritikuar këtë emision me komente në Twitter se aktori “Alec Baldwin nuk ka si të jetë më i dobët kur më imiton mua”. Ai është shprehur se “Emisioni është pa humor, pa vlerë argëtuese dhe plotësisht i njëanshëm”.

Për mirë a për keq, satira politike është pjesë e debatit publik. Profesori Lichter mendon se në këtë klimë negative politike është mirë që njerëzit të gjejnë edhe humorin tek politika.

Obama: I thashë Putinit, ndalo sulmet kibernetike

Presidenti amerikan, Barack Obama dhe presidenti rus, Vladimir Putin

Presidenti amerikan, Barack Obama ka qortuar republikanët amerikanë për qëndrimet ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, pas fitores së presidentit të zgjedhur, Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit.

Obama e ka cituar një sondazh ku thuhet se 37 % e votuesve që identifikohen si republikanë mbajnë qëndrim pozitiv për liderin rus, ndonëse 47 % e votuesve me të njejtën bindje politike kanë qëndrim tradicionalisht të keq ndaj liderit rus.

“Ronald Reagani do të rrotullohej në varrin e tij”, ka thënë Obama në konferencën e fundvitit me gazetarë të mbajtur mbrëmë në Uashington.

Ish presidenti amerikan, Reagan rregullisht e ka quajtur Bashkimin Sovjetik që udhëhiqej nga Moska, si “perandoria e të keqës”.

Presidenti i ardhshëm amerikan, Trump është tërhequr shumë nga qëndrimi i rregullt republikan duke thënë se ai ka dëshirë të ketë raporte të mira me Rusinë dhe të bashkëpunojë me Kremlinin për të mundur terroristët.

Disa republikanë në Kongresin amerikan vazhdojnë megjithatë të mbajnë qëndrim të ashpër kundrejt Rusisë.

Duke folur për çështjen e ndërhyrjes ruse në fushatën zgjedhore amerikane, Obama e ka mbrojtur fuqishëm reagimin e administratës së tij, përfshirë edhe refuzimin që para votimit të përshkruajë motivet e përfshirjes ruse apo të diskutojë tani se çfarë efekti mund të ketë pasur kjo përfshirje ruse.

Obama ka thënë se i është kundërvënë drejtpërdrejtë Putinit në një samit ndërkombëtar në muajin shtator rreth sulmeve kibernetike në fushatën zgjedhore amerikane, duke i thënë ish shefit të KGB-së, tani president i Rusisë, “ndaloje” këtë.

Obama ka nënvizuar se Shtetet e Bashkuara mund të hakmerren, duke thënë se “çfarëdo që na bëjnë, ne potencialisht mund t’iu bëjmë atyre”.

Presidenti amerikan nuk ka thënë se Putini e ka ditur për sulmet kibernetike ndaj SHBA-së, por ka nënvizuar se pak gjëra ndodhin në Rusi pa Vladimir Putinin.

Obama: Rusia, Irani dhe Siria kanë “gjak në duart e tyre” në Alep

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka thënë se Rusia, Irani dhe Siria “kanë gjak në duart e tyre” nga betejat brutale të Alepit, derisa është ankuar se nuk ka mundur ta ndalë gjakderdhjen në Siri, me gjithë përpjekjet disa vjeçare.

“Bota në kohën si është tani, është e tmerruar nga sulmet brutale nga regjimi sirian dhe aleatët e saj rusë dhe iranianë në qytetin e Alepit. Ne e kemi parë një strategji të qëllimshme të rrethimit dhe mbajtjes së civilëve të uritur. Ne kemi parë sulmet që kishin cak punonjësit humanitarë dhe personelin mjekësor”.

“Lagje të tëra janë shndërruar në gërmadha dhe pluhur. Ka raportime të vazhdueshme për civilët që po ekzekutohen. Këto janë shkelje të tmerrshme të ligjit ndërkombëtar. Përgjegjësia për këtë brutalitet bie mbi një adresë, regjimin e Assadit dhe aleatët e tij, Rusinë dhe Iranin. Ky gjak dhe këto krime gjenden në duart e tyre”, ka thënë Obama gjatë konferencës së fundit për këtë vit me gazetarë.

Obama, veçanërisht e ka paralajmëruar presidentin sirian, Bashar al Assad, lufta civile e të cilit ndaj kundërshtarëve të armatosur prej vitit 2011 ka vrarë mbi 250 mijë njerëz, se ai nuk do të jetë në gjendje që “duke kryer vrasje masive, t’i japë vetes legjitimitet”.

Mirëpo, të njëjtën kohë, Obama e ka pranuar se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë arritur pak sukses në përpjekjet e tyre që ta ndalin gjakderdhjen apo ta zvogëlojnë sado pak atë. Sipas Obamës, kjo ka ndodhur kryesisht si pasojë e vendimit të tij të mëhershëm gjatë luftës që të mos e përfshijë SHBA-në ushtarakisht.

“Për vite të tëra, ne kemi punuar që ta ndalim luftën civile në Siri dhe t’i lehtësojmë vuajtjen e njerëzve… Kjo ka qenë një nga çështjet më të vështira, me të cilat jam përballur si president”, ka theksuar Obama.

Presidenti Obama ka thënë se ai ka arritur në përfundim se përfshirja e SHBA-së ushtarakisht në Siri, nuk do të ishte diçka që do të bëhej lehtë apo pa pasoja.

“E vetmja mënyrë ishte që ne të përfshihemi në tërësi dhe të marrim kontrollin mbi Sirinë, ndryshe do të përballeshim me probleme”, ka thënë Obama dhe ka shtuar se okupimi ushtarak nënkuptonte “vendosjen e shumë ushtarëve në terren, të paftuar, pa një mandat sipas ligjit ndërkombëtar”.

Obama, gjithashtu, e ka pranuar se përpjekjet e administratës së tij për të vendosur një proces paqeje përmes Kombeve të Bashkuara apo edhe me negociata të drejtpërdrejta me Rusinë, nuk kanë dhënë rezultate.

“Nuk mund të pretendoj se kemi qenë të suksesshëm. Dhe, kjo është diçka, njëjtë si me shumë probleme e telashe të tjera nëpër botë, me të cilën më duhet të shtrihem në shtrat çdo natë. Por, unë vazhdoj të besoj se kjo ishte qasja e duhur, marrë parasysh atë që ne realisht do të mund të bënim”, ka thënë presidenti amerikan.

Shumë analistë konsiderojnë se mosveprimi nga perëndimi ka nxitur vendimin e Rusisë që të ndërhyjë. Moska është duke e ndihmuar regjimin e Assadit që të shënojë sukses të madh në rimarrjen e territoreve të kontrolluara nga rebelët.

Derisa Obama po mbante konferencën me gazetarë, Rusia dhe Siria kanë ndaluar evakuimin e mijëra civilëve dhe luftëtarëve, ndërsa po i vazhdojnë përpjekjet të marrin pjesën e fundit të Aleppos, që ende është nën kontroll të rebelëve.

Obama e ka përkrahur iniciativën franceze në OKB që të autorizohen vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara për të monitoruar evakuimin, mirëpo Rusia e ka bllokuar këtë duke i lënë zyrtarët e OKB-së po aq të zemëruar sa presidenti amerikan rreth asaj se si të vazhdohet tutje.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, në konferencën e fundit të tij në këtë pozitë, më 16 dhjetor, ka thënë se lufta në Siri është diçka që “i ka thyer zemrën atij”, veçanërisht pasi përpjekjet për evakuimin e qindra mijëra civilëve të lënduar, janë pezulluar më 16 dhjetor.

Forcat siriane kanë thënë se e kanë pezulluar evakuimin, sepse grupet rebele nuk i janë mbajtur premtimit që të lejojnë evakuimin e trupave qeveritare dhe civilëve të lënduar nga dy fshatra shiite që rebelët i mbajnë nën kontroll në krahinën e Idlibit.

Irani ka kërkuar që fshatrat të përfshihen në marrëveshjen e armëpushimit që ka mundësuar largimin e njerëzve nga Aleppo, thonë zyrtarë të OKB-së.

Turqia, një nga përkrahësit kryesor të rebelëve, ka thënë se Ankaraja është duke biseduar me homologër në Teheran në përpjekje për të lejuar vazhdimin e evakuimit.

Presidenti amerikan, Obama, i ka hedhur poshtë pretendimet ruse dhe siriane se të gjithë civilët që kanë qenë të ngujuar në Aleppo, kanë pasur mundësi të largohen.

“Aktualisht, rusët dhe Assadi pretendojnë se të gjithë civilët e pafajshëm që kanë qenë të ngujuar në Aleppo kanë dalë, derisa organizatat ndërkombëtare, organizatat humanitare që janë në terren, kanë thënë se ka ende dhjetëra mijëra njerëz që mbesin të ngujuar dhe janë të gatshëm të largohen në çfarëdo rrethana. Pra, momentalisht prioriteti ynë më i madh është t’iu bëjmë presion aty ku mundemi që t’i nxjerrim ata jashtë”, ka thënë Obama.

Përgatiti: Artan Haraqija

Trump premton “krijimin e zonave të sigurisë” në Siri

Trump gjatë një fjalimi në Harshey në shtetin e Pensilvanisë është shprehur se ngjarjet në Siri janë shumë pikëlluese

ANKARA – Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se vendi i tij do të krijojë “zona të sigurisë” në Siri.

Sipas lajmeve në shtypin amerikan, Trump gjatë një fjalimi në Harshey në shtetin e Pensilvanisë është shprehur se ngjarjet në Siri janë shumë pikëlluese.

“Janë shumë pikëlluese. Do të ndihmojmë njerëzit atje. Në Siri do të krijojmë zona të sigurisë. Do të ndihmojmë krijimin e zonave të sigurisë atje”, ka thënë Trump.

Ai tha se shpenzimet për projektin do t’i kërkojë nga shtetet e Gjirit. aa

Obama: “Ndërmerret aksion” kundër Rusisë për ndërhyrje në zgjedhje

Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se Shtetet e Bashkuara do të “ndërmarrin aksion” kundër Rusisë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale.

Mëtutje, në intervistën për Radion Publike Kombëtare, të publikuar mbrëmë vonë, zoti Obama tha se kishte folur “direkt” me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për këtë çështje.

“Mendoj se nuk ka dyshim se kur një qeveri e jashtme përpiqet të ndikojë në integritetin e zgjedhjeve tona… ne duhet të ndërmarrim aksion dhe do ta bëjmë këtë”, tha Obama.

Këto komente u bënë derisa Shtëpia e Bardhë i ka shtuar sugjerimet se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, personalisht i ka urdhëruar sulmet kibernetike dhe rrjedhjen e emailave të demokratëve në përpjekje për ta ndihmuar Donald Trumpin, që të triumfoj ndaj rivales demokrate, Hillary Clinton.

Më herët, zëvendëskëshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Ben Rhodes, i tha rrjetit MSNBC se “nuk mendoj se gjërat në qeverinë ruse të kësaj rëndësie ndodhin pa dijen e Vladimir Putinit…kur ju bisedoni për ndërhyrje kibernetike sikur kjo, ne flasim për nivelet më të larta të qeverisjes”.

Vladimir Putin e ka hedhur poshtë çfarëdo involvimi.

Trumpi do të mbajë takim me gjigandët e teknologjisë

Donald Trump do të mbajë një takim me udhëheqësit e disa kompanive gjigande të Luginës së Silikonit. Takimi mund të shërbejë pjesërisht për t’u njohur me ta dhe pjesërisht për të krijuar frymë më miqësore. Kjo duke patur parasysh marrëdhëniet e hidhura që presidenti i zgjedhur ka me shumë prej gjigandëve të teknologjisë në vend.

Në Kullën Trump në qytetin e Nju Jorkut, presidenti i zgjedhur do të takohet me krerët e kompanive të tilla si Apple, IBM, Microsoft dhe Alphabet, firmën që ka në pronësi Google-in.

Presidenti i zgjedhur Trump nuk ka lidhje të ngushta me drejtuesit e kompanive teknologjike dhe disa prej tyre ai i ka kritikuar ashpër gjatë fushatës së tij. Prandaj ky takim mund të përcaktojë se si do t’i ketë marrëdhëniet afatgjata me ta.

Gjatë fushatës, ai u bëri thirrje mbështetësve të bojkotojnë firmën “Apple” për shkak të qëndrimit të saj ndaj çështjes së privatësisë, dhe u zotua se do ta “detyronte Apple-in të fillojë të prodhojë kompjuterët dhe iPhonët e tyre në SHBA. Presidenti i zgjedhur pati një zënkë me drejtorin ekzekutiv të Facebook-ut, Mark Zuckerberg mbi reformën e imigracionit. Zoti Trump gjithashtu akuzoi Jeff Bezos-in, drejtorin ekzekutiv të kompanisë Amazon për përdorimin e gazetës Washington Post, të cilën Bezos e ka në pronësi, si mjet për të shmangur taksat.

Industria e teknologjisë, një nga sektorët më të mëdhenj të ekonomisë së Shteteve të Bashkuara, mund të luajë një rol kryesor që t’i japë një shtysë iniciativës së punësimit të presidentit të zgjedhur.

Burime të ndryshme thonë se shumë nga drejtuesit do të përpiqen të gjejnë një gjuhë të përbashkët me zotin Trump, edhe pse shumë prej tyre janë kundër mënyrës së si është shprehur ai mbi imigracionin e paligjshëm dhe ndaj tregtisë së lirë.

Katër burime që kanë njohuri për planifikimin e takimit e përshkruajnë atë si një seancë prezantuese që do të përqëndrohet në çështje të përbashkëta, në vend që të merret me mosmarrëveshjet.

“Nëse ai mund të reformojë kodin e taksave dhe të negociojë marrëveshje më të mira të tregtisë, komuniteti i teknologjisë i Shteteve të Bashkuara do të bëhet më i fortë dhe më konkurrues se kurrë”, tha në një deklaratë drejtorja ekzekutive e kompanisë Oracle, Safra Catz, e cila do të marrë pjesë në takim.

Fitorja befasuese e zotit Trump muajin e kaluar alarmoi shumë punonjës të kompanive të teknologjisë.

Shenja të këtij shqetësimi u shfaqën në një letër të hapur të nënshkruar të martën nga më shumë se 200 punonjës nga fusha e teknologjisë. Në letër thuhej se ata nuk do ta ndihmojnë administratën e zotit Trump të krijojë një bazë të dhënash për të kontrolluar njerëzit bazuar në fenë e tyre, ose për të lehtësuar deportimet në masë.

Ambasadori LU: Dështim i policisë dhe prokurorisë për mosarrestimin e Klement Balilit

 

Lu: SHBA mbështetje të kushtëzuar nëse s’arrestohet Balili

Ambasadori Donald Lu nuk nguron dhe bën një deklaratë bombë për mos arrestimin e Klement Balilit  të akuzuar si një prej krerëve të trafikut të drogës në Ballkan.

“Për 7 muaj kam nxitur ministrinë e Brendshme, por dhe prokurorinë për arrestimin e tij tha Lu në fjalën e tij mbajtur gjatë analizës vjetore të Avokatit të Popullit”

Ai e quajti dështim mos arrestimin e Balilit.

Duke akuzuar se politikanë nga e majta dhe e djathta i kanë kushtuar vëmendje interesave të fuqishme të biznesmenëve të korruptuar, kriminelëve të mëdhenj, madje edhe trafikantëve të drogës Lu tha se SHBA kushtëzon bashkëpunimin e ardhshëm kundër narkotikëve me arrestimin dhe procedimin penal të “peshqve të mëdhenj” nga ana e Shqipërisë, përfshirë Klement Balilin.

Donald Lu: Shqipëria do të ishte një vend më i mirë nëse qeveritë do ti vinin veshin zyrës së Avokatit të Popullit.

Në vend të kësaj politikanë nga e majta dhe e djathta i kanë kushtuar vëmendje interesave të fuqishme të biznesmenëve të korruptuar, kriminelëve të mëdhenj, madje edhe trafikantëve të drogës.

Si mund ta shpjegojmë ndryshe faktin se trafikanti i paprekshëm i drogës Klement Balili është ende i lirë. Sipas medias ai ka shmangur 200 policë që kanë qenë në ndjekje të tij.

Sipas të vëllait ai endet i lirë nëpër rrugët e Tiranës sepse deri të premten e kaluar zyra e Prokurorit të Përgjithshëm nuk kishte urdhëruar arrestimin e tij.

Vonesa në arrestimin e Klement Balilit, ish-zyrtar në Sarandë, përfaqëson një dështim të madh të policisë dhe sistemit të drejtësisë.

Kanë kaluar 7 muaj që kur policia greke arrestoi trafikantët e drogës të lidhur me Balilin në Greqi, që atëherë ka qenë në kërkim nga policia greke.

Kanë kaluar 7 muaj që kur Ministria e Drejtësisë dergoi personel në Greqi për tërheqjen e dokumentave. Tani ata kanë 10 mijë faqe dokumentacion.

Agjencitë ligjzbatuese të SHBA i kanë thënë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të arrestojë Klement Balilin.

Për 7 muaj kam nxitur policinë, Ministrin e Brendshëm, Ministrin e Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm që ta arrestojnë.

Nëse Shqipëria nuk mund të kapë Klement Balilit si mund të shkojë pas “peshqve të tjerë të mëdhenj”?!

Kush do të donte të punonte me Shqipërinë?!  Kush do të besonte se ky është një vend serioz në luftën kundër trafikut të drogës?

Shtetet e Bashkuara i kanë thënë Shqipërisë se bashkëpunimi i ardhshëm kundër narkotikëve është i kushtëzuar nga arrestimi dhe procedimi penal i “peshqve të mëdhenj” nga ana e Shqipërisë, përfshirë Klement Balilin.

Ambasadori Lu: SHBA ka shtatë muaj që kërkon arrestimin e Klement Balilit

Voal – Në Tiranë, ambasadori amerikan Donald Lu tha se vonesat në arrestimin e Klement Balilit, përfaqësojnë një dështim të madh të organeve të zbatimit të ligjit, nga prokuroria deri te policia shqiptare. Zoti Lu i referohej rastit të trafikantit të narkotikëve si Balili, për të cilin ai tha se nuk ekanë kapur dot as me 200 policë. Diplomatët e SHBA-ve pohuan se prej 7 muajsh po u kërkojnë zyrtarëve të policisë, prokurorisë dhe drejtësisë, që të arrestojnë trafikantë si Klement Balili. Zoti Lu deklaroi sot se SHBA e ka kushtëzuar me arrestimin e elementëve të mëdhenj të krimit bashkëpunimin dypalësh në luftën kundër drogës.

Senatori Graham: Po, Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane

Senatori republikan, Lindsey Graham

Një senator republikan e ka kundërshtuar presidentin e zgjedhur, Donald Trump në lidhje me ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhjet amerikane duke zbuluar se Moska ka kryer sulm kibernetik edhe në fushatën e Trumpit.

Senatori Lindsey Graham, i ka thënë CNN-së më 14 dhjetor se FBI e ka informuar atë tre muaj para zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit se llogaritë e tij janë sulmuar.

Trump i ka hedhur poshtë konkludimet e CIA-së dhe FBI-së, se rusët kanë kryer sulme kibernetike dhe më pas i ka rrjedhur në media emailet e Komitetit Kombëtar Demokrat dhe dokumente të tjera për të dëmtuar fushatën e rivales së tij, Hillary Clinton.

Mirëpo Graham i ka thënë CNN-së: “Unë e besoi që rusët e kanë ‘hackuar’ Komitetin Kombëtar të Demokratëve. Unë e besoi që ata e ‘hackuan’ edhe Podestan (udhëheqësin e fushatës së Clintonit). Ata kanë kryer sulm në fushatën time. Unë e besoi që të gjitha informacionet e publikuara e kanë dëmtuar publikisht Clintonin, por nuk e kanë dëmtuar Trumpin”.

Graham ka thënë se ai megjithatë nuk e beson që rrjedhja në media e informacioneve të tilla e kanë ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.

Graham është një republikanët kryesorë që kanë bërë thirrje për hakmarrje ndaj përfshirjes ruse në zgjedhje.

“Qëllimi im është të vendosë në tavolinën e presidentit Trump sanksione të rënda kundër Rusisë. Ata duhet të paguajnë çmimin”, ka shkruar Graham në Twitter.

Ish-shefi i CIA-s: Trump, fajtor nëse sulmohet Amerika

Ish-drejtori i CIA-s, Leon Panetta deklaroi gjatë së mërkurës se presidenti i zgjedhur, Donald Trump rrezikon të fajësohet në rast të një sulmi potencial ndaj Shteteve të Bashkuara, nëse ai refuzon të marrë njoftimet nga agjencitë e inteligjencës më shpesh.

Zyrtarë amerikanë kanë thënë për “Reuters” se Trumpi merr mesatarisht një njoftim përmbledhës presidencial në javë nga shërbimet sekrete, shumë më pak nga sa bënin paraardhësit e tij, por pranojnë gjithashtu se zëvendësi i tij, Mike Pence merr thuajse 6 ditë të javës të tilla informacione.

Panetta, ish-kongresmeni demokrat që ka shërbyer si drejtor i CIA-s dhe Sekretar i Mbrojtjes në mandatin e parë të presidentit Barack Obama, tha gjatë një konference të sponsorizuar nga qeveria e Dubait, të njohur si Forumi për Strategjinë Arabe, se refuzimi i Trumpit “nuk mund të zgjasë”.

“Kam parë presidentë që kanë pyetur në lidhje me verifikueshmërinë e informacioneve të burimeve sekrete, apo se cilët janë burimet për këto informacione, por kurrë nuk kam parë një president që thotë se ‘nuk i dëshiron të tilla informacione’”, deklaroi Panetta.

“Nëse ne pësojmë një tjetër sulm dhe zyrtarët e shërbimeve sekrete kanë pasur të dhëna apo informacione mbi atë sulm, e që presidenti nuk ka dashur t’i dëgjojë për çfarëdolloj arsyeje, përgjegjësia për atë sulm do të bjerë pikërisht te presidenti”, shtoi më tej ish-shefi i CIA-s.

Në një intervistë për “Fox News” gjatë së dielës, Trump tha se kishte dalë në konkluzionin se informacionet e shërbimeve sekrete ishin përsëritëse dhe se sigurisht që i kupton rreziqet potenciale.

“Ju e dini, unë jam një person i zgjuar. Nuk më nevojitet të më thonë të njëjtat gjëra, me të njëjtat fjalë çdo ditë për 8 vitet e ardhshme”, tha Trump.

Panetta u shpreh se Trump duhet të marrë parasysh edhe rishikimet e agjencive amerikane të Inteligjencës, se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit përmes sulmeve kibernetike.

“Sa i përket ndërhyrjes ruse në fushatën e fundit, 17 agjenci inteligjence kanë konkluduar se Rusia është e përfshirë në këtë përpjekje. Mendoj se presidenti do të bënte mirë të thoshte se, detyrohemi të gjejmë se cili ishte roli i Rusisë, jemi të detyruar ta hetojmë atë dhe të sigurohemi se nuk do të ndodhë më”.

Sipas raportimeve, CIA beson se sulmet kibernetike ruse kanë pasur për objektiv përforcimin e kandidati republikan, një vlerësim që nuk ndahet edhe nga FBI-ja, e cila së bashku me shumë agjenci të tjera kundërzbulimi kanë dhënë konkluzionin se sulmet kibernetike ruse synuan përgjithësisht të minonin zgjedhjet amerikane. Trump i quajti vlerësimet e CIA-s si “qesharake”, ndërsa Rusia mohoi të jetë e përfshirë.


Send this to a friend