Për këtë artikull kontribuan: Ramon Taylor në Jacumba, CA, Aru Pande në York, PA, Aline Barros në Lumberton, NC, Kane Farabaugh në Ottawa, IL, Mohamed Olad Hassan në Minneapolis, MN.
Në një kodër pranë Jacumba, të Kalifornisë, fare pranë kufirit SHBA-Meksikë, dy pika karburanti rivalizojnë njëra-tjetrën nën hijen e flamurit amerikan.
Është një pamje tipike amerikane: vendasit dhe të ardhurit mbushin karburant dhe largohen drejt shkretëtirës. Por, kjo vendndodhje ndikohet prej murit të kufirit, si nga pjesa që është ndërtuar, po ashtu edhe nga pjesa që nuk është ngritur ende.
“Njerëzit vijnë nga Meksika dhe marrin vendet e punës që mund t’i kishin njerëzit këtu në SHBA”, thotë Patrick, nga qyteti kufitar El Centor, mbështetës i Presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe votues për herë të dytë për republikanët.
Votuesi i pavarur Jairo Carcamo e përshkruan Hillary Clinton si “të shitur” dhe Donald Trump si “një racist”, por është i gatshëm megjithatë t’i japë shansin presidentit të 45-të të përmbushë premtimet e tij pozitive për ekonominë. Ai sidoqoftë nuk mendon se muri kufitar është pjesë e zgjidhjes.
Ai thotë se “nëse zoti Trump dëshiron të sigurojë kufirin për të mos lejuar hyrjen e trafikantëve të drogës dhe njerëzve të këqinj, kjo është gjë e mirë. Por, duhen lënë të kalojnë njerëzit e mirë. Neve na duhen njerëz punëtorë, na duhen emigrantë, pasi një amerikan nuk del në fushë për të mbledhur mollë për vetëm 4 dollarë shportën”.
Patti Myers Wiseman, një demokrate e kahershme, mendon se nuk ka asnjë vlerë t’i jepet një shans Trump-it. Mospublikimi i deklarimit të tij taksave dhe mungesa e eksperiencës politike mjaftojnë që ajo ta konsiderojë presidentin “të pakualifikuar”.
Zonja Wiseman thotë se “ai nuk ka paguar taksa prej shumë vitesh për shkak të boshllëqeve ligjore. Ai po thotë se në muajt në vazhdim do të anullojë sigurimin shëndetësor Obamacare dhe gjëra të tjera. Mendoj se do të përfundojë i shkarkuar për shkelje.”
Ndërsa ajo përfundon cigaren që ka në dorë, zonja Wiseman zbulon se frika e saj më e madhe nuk është ekonomia, apo deklarata e taksave, por mundësia e një lufte të papritur. “Butoni i kuq”, thotë ajo.
York, Pennsylvania
“Ai di shumë marifete. Është i zgjuar, është biznesmen. Nëse doni të bëni diçka të mrekullueshme për këtë vend, ai do ta arrijë”, thotë greko-amerikani Yani Pripas, i cili ka ardhur në SHBA në vitin 1975. Pronar i dyqanit “Greek Super Foods” në tregun qendror të Yorkut, ai votoi dy herë për Presidentin Barack Obama, por këtë vit vendosi për zotin Trump.
Ai dëshiron që zoti Trump ta bëjë jetën në Amerikë siç ishte në vitet 1970-të. “Njerëzit ishin të lumtur. Kishin të ardhura. Nuk kishte kaq shumë të huaj në vend”, thotë ai.
Ditën përpara inaugurimit, një grup njerëzish që drekojnë aty çdo ditë u mblodhën në tregun në qendër të York-ut. Grupi përbëhet nga republikanë dhe demokratë, juristë, një sherif, dhe pronarë biznesesh. Ata takohen dhe bisedojnë rreth jetëve të tyre, komunitetit dhe sot, i flasin Zërit të Amerikës rreth politikës.
“Ende nuk po e besoj dot. Do të shkoj në inaugurim dhe me shumë ngazëllim. Është inaugurimi im i parë”, thotë Louis Rivera, i cili u zhvendos në York bashkë me të shoqin rreth një vit më parë. Ai ka votuar për demokratët që nga viti 2008.
Por, ai nuk është dhe aq i ngazëllyer për perspektivën e katër viteve të ardhshme. “Tashmë pres më të keqen, për shkak të gjërave që kanë thënë Trump, por le t’i japim atij mundësinë të ndryshojë dhe të përqafojë të gjithë”, thotë Rivera.
Jenna Geesey mendon se administrata Trump është zgjidhja për të dalë nga ngërçi.
“Shpresoj të mbajë premtimet për forcimin e sigurisë kombëtare dhe reformimin e sistemit tonë të kujdesit shëndetësor. Për një periudhë të stërzgjatur ka patur një ngërç pa aktivitet dhe pa legjislacion të vërtetë në ndihmë të klasës së mesme”, thotë Jenna.
Juristja me bindje të forta demokrate, Audrey Woloshin, thotë se “që unë të ndjehem më komod me udhëheqësinë e tij, zoti Trump duhet të shndërrohet në një folës më të mendueshëm dhe më shumë diplomat”. Ajo thotë se është “krejtësisht kundër” pozicioneve filozofike dhe ideologjike të zotit Trump, si dhe të anëtarëve të kabinetit të tij, dhe se për këtë arsye ajo “ka shumë frikë”.
A market in downtown York, Pennsylvania. (M. McKiterrick/VOA)
Lumberton, Karolina e Veriut
Qyteti Lumberton ka një nivel papunësie prej 2.5% më të lartë se sa mesatarja kombëtare.
Drejtori i Komisionit të Zhvillimit Industrial të Karolinës së Veriut, Gregory Cummings, thotë se “në periudhën 1996-2001, humbëm rreth 8 mijë vende pune. Humbëm në metalurgji dhe në tregun e tekstileve që ishte biznesi ynë kryesor. U goditëm shumë rëndë”.
Viti 1996 ishte viti i dytë i zbatimit të marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut – NAFTA.
“Kur zoti Trump thotë se NAFTA nuk ishte një marrëveshje e vërtetë e tregtisë së lirë, por se favorizonte vetëm në një drejtim, ai merr kështu menjëherë vëmendjen e njerëzve të këtushëm”, thotë Phillip Stephens, kryetar i Partisë Republikane për bashkinë Robeson.
Pronari i një biznesi të vogël, Tanner Smith, ka jetuar në Lumberton gjatë gjithë jetës së tij, dhe ka qenë gjithnjë demokrat. Por, këtë radhë votoi për republikanët.
Por, çfarë pret prejt Trump-it? “Të mbajë premtimet e tij dhe të veprojë me shpejtësi për vendet e punës”, thotë zoti Smith.
Demokratja, India Lowry, e cila nuk votoi për zotin Trump bën një punë të dytë në një dyqan ushqimesh gjysëm të gatshme. “Është shqetësuese që shumicën e mallrave e marrëm nga Kina”, pranon ajo.
Biznesmeni Alton Locklear, votues i zotit Trump, thotë se falenderon Zotin që presidenti i ri do të lëvizë vendin në drejtim të ndryshëm. “Kam folur me shumë njerëz në komunitetin tim për të shtuar vendet e punës dhe ata janë të ngazëllyer”, thotë ai.
Ai thotë se qyteti Lumberton është një qytet fetar, me kisha në çdo cep.
“Dua të flas hapur. Trump tha të gjitha gjërat që ne kemi patur në mendje, për çfarë duhet bërë për ekstremizmin islamik, emigracionin dhe taksat që paguajmë”, thotë zoti Locklear.
A scene in downtown Lumberton, North Carolina. (M. McKiterrick/VOA)
Ottawa, Illinois
Misri nuk do të mbillet në fushat e Illinois deri në muajin prill, kështu që këtu ka ende kohë për të menduar dhe diskutuar për ndryshimin e administratës.
Fermeri Monty Whipple plugon arat ku dikur punonte i ati dhe xhaxhai, rreth 19 kilometra pranë qytetit Ottawa. Por, gjërat kanë ndryshuar gjatë viteve të fundit, duke u ndërvarur më shumë nga tregtia.
Zoti Whipple votoi për zotin Trump, si zgjidhja e vetme e mbetur: “Ne eksportojmë shumë prodhime, që nga gruri dhe mishi; industria e bagëtisë ndërvaret nga eksportet. Zoti Trump është pozicionuar fort kundër disa prej marrëveshjeve të tregtisë që janë miratuar në të kaluarën, si NAFTA dhe të tjera”.
Agjenti i siguracioneve për fermerët, Robert Hasty, thotë se është më shumë republikan se sa demokrat, por se nuk vendosi dot të votojë për zotin Trump.
Zoti Hasty thotë se është më tepër konservator nga pikëpamja politike, por se ndjehet gjithnjë e më shumë liberal nga pikëpamja sociale: “Jam i shqetësuar për aspektin moral, për gjërat që ai ka thënë dhe ka bërë. Kam dy vajza të vogla dhe më duken trazuese gjërat që ai ka thënë nga podiumi”.
Minneapolis, Minnesota
Somalezët filluan të vijnë në Minneapolis në vitet 1980-të. Deri në vitin 2013, komuniteti ishte rritur në 250 mijë persona, me qindra biznese të tyret.
Somalezët anojnë nga demokratët, por janë aktivë në të dyja partitë. Shërbimi në gjuhën somaleze i Zërit të Amerikës konstatoi se ata janë të gatshëm të ndryshojnë preferencat duke zgjedhur ndërmjet dy partive.
Faduma Yusuf është një republikane krenare që kandidoi për këshillin bashkiak të qytetit Minneapolis në vitin 2013. Por, ajo votoi për zotin Obama në vitin 2008, dhe për Mitt Romney-n në vitin 2012. Këtë vit, ajo nuk votoi.
“Kur pashë Trump-in të ofendojë komunitetin tim somalez dhe komunitetin emigrant, dhe kur i emërtoi terroristë njerëzit që erdhën këtu për të mbijetuar dhe për një jetë më të mirë për veten dhe fëmijët, atëherë vendosa të mos votoj për të”, thotë zonja Yusuf.
FILE – Female members of Minnesota’s Somali community.
Aktivisti social Faisal Derie votoi dy herë për zotin Obama, por këtë vit, vendosi për zotin Trump.
“Mendoj se do të jetë një ndër presidentët më të mirë në historinë e Shteteve të Bashkuara, nëse jo më i miri. Mendoj se do ja dalë shumë mirë si president, dhe se do punojë mirë me botën dhe udhëheqësit demokratë. Duke qenë se është biznesmen dhe jo nga një eksperiencë politike, mendoj se do të ndjejë vuajtjet e njerëzve të varfër”, thotë zoti Derie.
Samsam Aden, një studente somalezo-amerikane që erdhi në Minneapolis katër vite më parë si refugjate, votoi për zonjën Clinton, pasi thotë se e ardhmja e saj është e pasigurtë nën administratën Trump.
“Unë dhe tre vëllezërit dhe motrat e mia patëm ëndrrën për t’u arsimuar dhe për të përcaktuar se çfarë do të bëhemi në atdheun tonë të ri. Por, tani që një burrë që kërcënon komunitetin tim po drejton vendin, ne jemi të pasigurtë se çfarë do të na sjellë e ardhmja. Në përgjithësi, nuk jam optimiste për të ardhmen e myslimanëve në SHBA”, thotë zonja Aden.
Për këtë artikull kontribuoi edhe Abdi Mahamud Mascade, nga Minneapolis.