VOAL

VOAL

New York, festivali i akullit paralajmëron Ditën e të dashuruarve

Vizitorët në Central Park sot mund të shohin gdhendësit profesionalë me daltë apo me sharrë motorike se si gërmadhat e mëdha të akullit i shndërrojnë në kopje të disa prej statujave më të famshme

NEW YORK – Shumë vizitorë shijojnë festivalin në akull, i cili gjashtë vite me radhë mbahet në Central Park në New York. Bëhet fjalë për festivalin i cili mbahet në fundjavën para ditës së Shën Valentinit, ditës së të dashuruarve, e cila u ofron vizitorëve argëtime dhe kënaqësi të shumta.

Vizitorët në Central Park sot mund të shohin gdhendësit profesional me daltë apo me sharrë motorike se si gërmadhat e mëdha të akullit i shndërrojnë në kopje të disa prej statujave dhe skulpturave më të famshme.

Me perëndimin e diellit, vizitorët do të mund të shijojnë në Silent Disco. Secili do të marrë kufje dhe do të zgjedhë muzikën për vallëzim, kurse atmosferën e masës vallëzuese do të zbukurojnë edhe me dritat e diskos që do të ndriçojnë në podium. aa

Trump: Jemi 100 përqind me Japoninë

Në konferencën e cila zgjati pak minuta, Presidenti Trump, duke treguar edhe njëherë mbështetjen ndaj Japonisë, tha: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë 100 përqind pranë aleatit të madh Japonisë”

UASHINGTON – Presidenti i SHBA-së, Doland Trump, ka deklaruar se kundër provave për leshimin e raketave balistike, të Koresë së Veriut, SHBA-ja do të qëndrojë “100 përqind pranë” Japonisë.

Trump ka zhvilluar një konferencë për shtyp pas takimit me Kryeministrin japonez, Shinzo Abe, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në SHBA. Konferenca është zhvilluar në Florida, ndërsa ka qenë e fokusuar tek provat e Koresë së Veriut për zhvillimin e raketave balistike.

Në konferencën e cila zgjati pak minuta, Presidenti Trump, duke treguar edhe njëherë mbështetjen ndaj Japonisë, tha: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë 100 përqind pranë aleatit të madhë Japonisë”.

Ndërsa Kryeministri i Japonisë, Abe në lidhje me provën e Koresë së Veriut për lëshimin e raketave balistike, është shprehur: “Prova e fundit e Koresë së Veriut për lëshimin e një rakete balistike është e papranueshme. Koreja e Veriut duhet ti përmbahet një më një vendimeve të Këshillit të Sigurisë pranë OKB-së”. Ai ka theksuar se Trump ka deklaruar mbështetjen e vendit të tij ndaj Japonisë për çështjen e Koresë së Veriut.

Trump u takua me Abe-n në Shtëpinë e Bardhë ditën e djelë. Pas takimit me Kryeministren e Britanisë së Madhe Theresa May, Abe ishte lideri i dytë i pritur nga Trump. Më pas dy liderët kaluan në Florida, në Palm Beach, atje ku Trump kalon shpesh herë fundjavën. aa

Trumpi: Sistemi i emigracionit nuk do të përdoret si “vegël” e terrorizmit

Në fjalimin e tij të përjavshëm, Presidenti amerikan Donald Trump premtoi se sistemi i emigracionit në vend nuk do të përdoret si “vegël” për të çuar përpara kauzën e terroristëve të huaj.

Ai tha se do të “vazhdojmë të luftojmë që të marrim të gjitha masat e nevojshme dhe të ligjshme për të mos lejuar kurrë terroristët, radikalët, dhe ekstremistët e rrezikshëm të hyjnë në vendin tonë”.

Ai paralajmëroi se sistemi i emigracionit nuk do të lejohet të kthehet kundër amerikanëve, si instrument për terrorizmin dhe njerëzit e këqinj. Komentet e tij vijnë ndërsa, administrata po shqyrton mundësinë e një urdhëri të ri ekzekutiv për emigracionin.

Një gjykatë apeli vendosi unanimisht kundër urdhërit të tij ekzekutiv që ndalonte hyrjen në SHBA të refugjatëve dhe shtetasve nga shtatë vende me shumicë myslimane.

Presidenti Trump u tha dje gazetarëve që e shoqëronin gjatë udhëtimit me Air Force One, se një urdhër i ri ekzekutiv mund të nënshkruhet në fillim të javës së ardhshme, nëse administrata vendos të ndjekë këtë strategji.

“Kemi disa opsione të tjera, si nënshkrimi i një urdhëri krejt të ri ekzekutiv ditën e hënë… Na duhet shpejtësi për arsye sigurie, prandaj ka mundësi të veprojmë kështu”, tha Presidenti Trump.

Studiuesit ligjorë po shqyrtojnë domethënien e vendimit të gjykatës dhe se çfarë mund të ndodhë nëse çështja kalohet në Gjykatën e Lartë.

Profesori David Abraham i Universitetit të Majamit, i tha Zërit të Amerikës vendimi i Gjykatës së Apelit, është një tregues se si mund të jenë shanset e urdhrit në Gjykatën e Lartë.

“Gjykata sinjalizoi se paditësit e urdhërit të Presidentit Trump kanë shanse ta fitojnë çështjen. Megjithëse nuk shtjellohen meritat e çështjes, gjykatësit sinjalizuan se pala paditëse ka shanse të mira”, thotë profesori Abraham.

Ndalimi i udhëtimit do të skadonte brenda 90 ditësh, pra përpara se Gjykata e Lartë të pranonte çështjen. Administrata ka gjithashtu mundësinë ta modifikojë urdhërin, duke ndryshuar afatgjatësinë apo shtrirjen e tij.

SHBA: Demokratët kërkojnë hetime ndaj këshilltarit Flynn

Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar hetime për çështjen nëse këshilltari i sigurisë kombëtare të administratës amerikane, Michael Flynn, ka diskutuar për sanksionet kundër Rusisë, me ambasadorin e Moskës në Uashington, derisa ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ishte ende në detyrë.

Ligjvënësit demokratë kanë pretenduar mbrëmë se bisedat telefonike, për të cilat raportohet gjërësisht në mediat e Shteteve të Bashkuara, mund të paraqesin shkelje të legjislacionit amerikan, që shtetasve privatë nuk u lejon të udhëheqin politikë të jashtme.

Senatorët demokratë, Ed Markey dhe Chris Murphy, kanë kërkuar hetim ndaj zotit Flynn, ndërsa demokratët e tjerë i kanë bërë thirrje presidentit, Donald Trump, që ta shkarkoj atë.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Trump ka “besim të plotë” në këshilltarin Flynn, i cili u kishte thënë gazetarëve se “nuk është i sigurt” nëse ka diskutuar për sanksione me ambasadorin rus, Sergei Kislyak, në muajin dhjetor të vitit të kaluar, kur Barack Obama po e përgatiste rundin e ri të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë.

Presidenca e Rusisë dje në mënyrë kategorike i ka hedhur psohtë pretendimet se Flynn kishte pasur çfarëdo bisede për sanksione me zotin Kislyak.

Trumpi kritikon Izraelin për vendbanimet ilegale

“Vendbanimet nuk kanë dobi për procesin e paqes. Tokat e disponueshme janë të kufizuara dhe këto pakësohen edhe më shumë me ndërtimin e vendbanimeve”

JERUSALEM – Presidenti amerikan, Donald Trump, për herë të parë kritikoi vendbanimet e Izraelit në territoret e Palestinës, që prej ardhjes së tij zyrtarisht në detyrë.

“Vendbanimet nuk kanë dobi për procesin e paqes. Tokat e disponueshme janë të kufizuara dhe këto pakësohen edhe më shumë me ndërtimin e vendbanimeve. Duhet ti hulumtojmë gjitha opsionet. Mirëpo mendoj se kjo nuk është e mirë për paqen”, tha Trump, në një deklaratë për gazetën “Izrael Hayom”.

Trump u shpreh se dëshiron paqe mes Izraelit dhe Palestinës. “Nuk dua ta dënoj Izraelin gjatë kryerjes së detyrës time. Izraeli ka një histori të gjatë në lidhje me dënime dhe vështirësi. Unë shumë mirë e kuptoj dhe e çmoj Izraelin. Mendoj se paqja do të ishte e përkryer edhe për Izraelin”, deklaroi Trump.

Trump duke dhënë mesazhin se është optimist në lidhje me marrëveshjen u shpreh se “Padyshim paqja nuk konsiderohet e mirë derisa nuk është e mirë për të gjithë. Disa nuk e shohin të mundshme vazhdimin e marrëveshjes së paqes. Unë nuk pajtohem me ata. Besoj që mund të arrijmë në marrëveshje, kemi nevojë për të.”

“Jam duke menduar mirë rreth çështjes së ambasadës”

Trump është shprehur se seriozisht është duke u menduar në lidhje me sjelljen e ambasadës amerikane prej Tel Avivit në Jerusalem.

“Jam duke menduar në atë temë dhe jam duke punuar mbi të. Nuk është një vendim i lehtë. Është një temë që flitet me vite të tëra, por askush nuk dëshiron të marrë këtë vendim. Edhe unë mendoj mirë mbi këtë temë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi presidenti amerikan. aa

Departamenti Amerikan i Shtetit mbështet ambasadorin Lu

Konfirmohet mbështetja e DASH për ambasadorin LU/

Departamenti Amerikan i Shtetit ka besim të plotë tek ambasada dhe ambasadori amerikan në Shqipëri.

Këto janë fjalët zyrtare ekskluzive për Top Channel, i cili iu drejtua Departamentit Amerikan të Shteti pas artikullit të Huffington Post, ku Luke Cofey drejtor i politikave të jashtme në Heritage Fondation, kritikon politikat e SHBA-ve në Ballkan dhe konkretisht për Shqipërinë, ndërhyrjen e ambasadorit Donald Lu në politikat e brendshme.

Top Channel kontaktoi DASH dhe zyra e shtypit atje, në emër të zëdhënësit Mark Toner, thekson se qellimi madhor amerikan në Shqipëri është mbështetja e reformave me qëllim anëtarësimin e vendit në BE.

“Politikat e SHBA kanë si qëllim të mbështesin anëtarësimin e vendit tuaj në BE dhe reformat e nevojshme për të arritur këtë qëllim. Këtu përfshihen mbështetja ndaj reformës në drejtësi, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe gjithashtu lufta ndaj ekstremizmit të dhunshm.  Ambasadori LU dhe ekipi i tij kanë punuar në partneritet me autoritetet shqiptare ashtu si dhe me shoqërinë civile për të cuar përpara politikat dhe qëllimet e Amerikes.  Departamenti i Shtetit, ka besim të plotë tek ambasada jonë dhe vetë Ambasadori në Shqipëri. Si miq dhe aleatë të Shqipërisë në Nato, SHBA-të nxisin fuqimisht  të gjitha palët të respektojnë fuqinë e ligjit dhe proceseve demokratike. Ne duam të shohim një Shqipëri të fortë dhe të integruar në familjen euro-atlantike”,- thuhet në reagimin zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit.

http://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2017/02/zyrtari-i-DASH.jpg

Mediat amerikane: Këshilltari i Trumpit diskutoi sanksionet ndaj Rusisë para inaugurimit

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, Michael Flynn

Mediat në SHBA raportojnë se këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Michael Flynn, privatisht ka diskutuar sanksionet amerikane kundër Moskës, me ambasadorin rus në SHBA, para se Donald Trump të inaugurohej si president.

Raportimet e 9 shkurtit të gazetave “The Washington Post” dhe “The New York Times”, kanë cituar zyrtar të tanishëm dhe të mëparshëm amerikanë, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti.

“The Washington Post” ka thënë se disa zyrtarë të lartë amerikanë i konsiderojnë takimet e tilla si sinjale “potencialisht ilegale” për Rusinë e cila mund të pres heqjen e sanksioneve të vendosura nga administrata e Obamës në muajin dhjetor.

Këshilltarët e Trumpit kanë thënë se Flynn ka biseduar me Sergey I. Kislyak, pak ditë para Krishtlindjeve, thjeshtë për të aranzhuar bisedën telefonike në mes të Trumpit dhe presidentit rus, Vladimir Putin, pas inaugurimit.

Por, gazeta “The New York Times”, ka cituar zyrtarë të tanishëm dhe të mëparshëm amerikanë duke thënë se biseda, e cila është zhvilluar pak ditë pasi qeveria e Obamës ka vendosur sanksione ndaj Rusisë me akuzën se ka kryer sulme kibernetike me qëllim që të ndihmojë Donald Trumpin të fitojë zgjedhjet, shkon shumë përtej planifikimit të një bisede telefonike në mes të dy liderëve.

Zyrtarët thonë se Flynn asnjëherë nuk ka bërë premtime të qarta për zbutje të sanksioneve, por ai e ka krijuar përshtypjen se kjo është e mundshme.

Gazeta “The New York Times”, thotë se janë ngritur dyshime se Flynn ka shkelur ligjin kundër përfshirjes në diplomaci të qytetarëve pa pozita zyrtare.

Deri më tash nuk ka ndonjë reagim ndaj këtyre shkrimeve nga administrata e Donald Trumpit.

SHBA: Apeli lë në fuqi pezullimin e urdhrit të presidentit për emigracionin

Gjykata e apelit në San Francisco vendosi të lerë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, i cili pezullonte përkohësisht urdhrin e presidentit Trump për të mos lejuar udhëtimin në Shtetet e Bashkuara të qytetarëve nga 7 vende me shumicë myslimane.

Fati i urdhërit presidencial pritet të vendoset përfundimisht nga Gjykata e Lartë.

Javën e kaluar gjykatësi James Robart vendosi të pezullojë përkohësisht urdhërin ekzekutiv të presidentit. Presidenti Trump u kundërpërgjigj me nervozizëm në Twitter, duke e cilësuar gjykatësin Robart “i ashtuquajtur gjykatës”, i cili “mori një vendim qesharak” që do të lejojë “shumë persona të këqinj dhe të rrezikshëm të hyjnë në vendin tonë”.

Avokati i Shtëpisë së Bardhë argumentoi para gjyktës së apelit se urdhri ekzekutiv ishte brenda kompetencave që Kongresi dhe Kushtetuta i kanë dhënë presidentit.

Çështja pritet të kalojë në Gjykatën e Lartë, e cila ka një vend bosh dhe kandidati i emëruar nga presidenti së fundmi për ta plotësuar atë, nuk ka të ngjarë të konfirmohet nga Senati në kohë për të votuar për këtë çështje. Gjykata e Lartë aktualisht është me 8 anëtarë, katër me prirje konservatore dhe 4 me prirje liberale.

Urdhri ekzekutiv nga ana tjetër ishte i vlefshëm vetëm për 90 ditë dhe ekziston mundësia që afati të skadojë para se Gjykata e Lartë të arrijë të diskutojë për të.

Vjedhja e dokumenteve sekrete, padi penale ndaj ish-punonjësit të NSA-së

Harold Thomas Martin, akuzohet për vjedhjen më të madhe “të dokumenteve sekrete” në historinë e SHBA-ve

Ndaj ish-punonjësit me kontratë të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), Harold Thomas Martin, i cili akuzohet për vjedhjen më të madhe “të dokumenteve sekrete” në historinë e SHBA-ve hapet padi penale ku kërkohet dënimi i tij deri me 30 vite burg.

Autoritetet po hetojnë Martin, ndërsa theksohet se në mesin e dokumenteve të cilat pretendohen se i ka vjedhur ai, krahas dosjeve të NSA-së, të Agjencisë Qendrore Inteligjencës (CIA) dhe të Cyber Command-ës (CYBERCOM) ndodhen edhe dokumente me detaje teknike dhe taktike për mbikëqyrjen globale dixhitale.

Pretendohet se Martin me mjetet e piraterisë në internet të përdorura nga NSA, duke vjedhur informacione sekrete në lidhje me planet operacionale kundër “armikut që njihet” të SHBA-ve, duke përfshirë edhe ato të mbrojtjes kombëtare ka shkelur ligjin e spiunazhit.

Pritet që 52-vjeçari Martin të dalë përballë gjykatësit më 14 shkurt në Baltimore. Prokurorët kanë bërë të ditur se ai me këto akuza mund të dënohet deri në 30 vite burg.

“Nuk është Snowdeni i ri”

Martin i cili kryente punime si i kontraktuar më parë për NSA-në, në muajin gusht ai u arrestua nga FBI-ja me akuzën për “vjedhjen e dokumenteve shumë sekrete të qeverisë”. Ndërsa kërkesa për gjykimin në gjendje të lirë ishte refuzuar nga gjykata me arsyetimin për rrezikun e largimit të tij.

Ndërsa avokatët e Martin kanë vënë në dukje se i mbrojturi prej tyre nuk kishte për qëllim dëmtimin të vendit të tij, por kishte qëllimin që të zhvillonte vehte jashtë orarit të punës. Avokatët janë shprehur se Martin nuk është një “Edward Snowden i ri”.

Zyrtarët amerikanë kanë pretenduar se nga Martin janë vjedhur më shumë se 75 për qind të dokumenteve që disponon njësia kibernetike elitë e NSA-së, Tailored Access Operations’un (TAO) e cila prodhon dhe menaxhon programet që përdor me qëllim të spiunazhit në rrjetet e huaja. Gjithashtu zyrtarët kanë bërë të ditur se madhësia e dokumenteve dixhitale arrijnë në 52 terabajtë.

Parashikohet se informacionet e vjedhura nga Martin i cili ka punuar për më shumë se 20 vite për shërbimet sekrete të vendit, janë më tepër nga ato të Edward Snowden. aa

Trumpi vë në shënjestër kompaninë që nuk do të shesë produktet e vajzës së tij

Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar kompaninë Nordstrom e cila ka vendosur të mos shesë produktet e vajzës së tij, Ivanka

UASHINTON – Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar kompaninë Nordstrom e cila ka vendosur të mos shesë produktet e vajzës së tij, Ivanka.

Trump në një postim në llogarinë personale të tij në Twiter të cilën ende e përdor në mënyrë aktive ka thënë se ndaj vajzës së tij Ivanka është bërë “padrejtësi”.

“Nga Nordstrom është bërë një padrejtësi e madhe ndaj vajzës sime Ivanka. Ajo është një njeri i shkëlqyer dhe mua me drejton gjithmonë që të bëj atë që është e drejtë. Turp!”, ka shkruar Trump në mesazhin e tij i cili brenda disa orësh është shpërndarë nga mijëra persona.

Gjithashtu ka tërhequr vëmendjen se në mesin e tyre ka qenë edhe llogaria “@POTUS” në Twitter që i përket presidencës së SHBA-ve. Teksa shpërndarjet vazhdonin është vërejtur se në asetet e kompanisë për një kohë të shkurtër janë shënuar humbje.

Nordstrom e cila ka një zinxhir dyqanesh luksoze në të gjithë vendin javën e kaluar ka njoftuar se për shkak të uljes së kërkesave do të ndalonte shitjet e “Ivanka Trump Collection” të cilat përfshijnë produktet e veshjeve, këpucëve, aksesuarëve dhe parfumeve të Ivanka Trump.

Kritikat për konflikt interesi nuk kanë vonuar

Vendosja në shenjestër e kompanisë Nordstrom për shkak se ka ndaluar shitjet e produkteve të vajzës së Donald Trump ka risjellë sërish në rendin e ditës kritikat e konfliktit të interesit, ku në këto kritika është theksuar se presidenti amerikan nuk mund të përdorë detyrën e tij për interesat e familjes dhe është pretenduar se ky tweet i Trump-it ka shkelur këtë rregull.

Profesoresha e drejtësisë dhe ekspertja e moralit publik në Universitetin Washington, Kathleen Clark tha se postimi i Trumpit në median sociale është “problematik” sepse kjo mund të frikësojë edhe kompanitë e tjera të cilat planifikojnë të ndalojnë shitjet e produkteve të Ivanka Trump.

“Këtu kërcënimi i mbuluar, tregon se Trump mund të përdorë gjithë autoritetin që ka për t’iu kundërpërgjigjur Nordstrom ose çdo kujt tjetër që ka lidhje me interesat”, tha Clark duke shtuar se shpërndarja e tweetit nga llogaria e Presidencës është edhe më shqetësues.

Ndërsa në anën tjetër zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer duke mbrojtur tweet-in e Trump tha: “Është e papranueshme që dikush dhimbjet kundrejt vendimeve të Trump t’ia delegojë anëtarëve të familjes Trump. Presidenti Trump ka çdo të drejtë të mbrojë anëtarët e familjes së tij”. Ai më tej tha se vendimi i Nordstrom është politik.

Nordstrom në muajin e fundit është kompania e pestë që ka nxjerrë nga pikat e shitjes produktet që bartin emrin e Ivanka Trump. AA

Rohrabacheri nxit reagime me deklaratën “Maqedonia nuk është shtet”

Kongresisti amerikan, Dave Trott, bashkudhëheqës i Komitetit të Kongresit për Maqedoninë dhe Maqedono-Amerikanët, tha se Maqedonia është aleat i rëndësishëm i SHBA-së dhe nënvizoi mbështetjen për sovranitetin e saj.

“Maqedonia ka qenë partner i rëndësishëm në avancimin e përpjekjeve të SHBA-së për siguri kombëtare në gjthë botën. Për më tepër, diaspora e Maqedonisë në SHBA ka qenë pjesë e rëndësishme e komunitetit tonë dhe i ka kontribuar diversitetit dhe avancimit të të gjithë kombit tonë”, tha Trott.

Komentet vijnë pasi ligjvënësi republikan, Dana Rohrabacher, ka thënë se Maqedonia “nuk është shtet” dhe se ajo duhet të ndahet midis Bullgarisë dhe Kosovës.

“Kosovarët dhe shqiptarët nga Maqedonia duhet të jenë pjesë e Kosovës dhe pjesa tjetër e Maqedonisë duhet të jetë pjesë e Bullgarisë ose e ndonjë vendi tjetër, me të cilin beson se është e lidhur”, ka thënë për kanalin televiziv Vizion Plus Rohrabacher, kryetar i Nënkomitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropën dhe Euroazinë.

Rohrabacher, mbështetës i fuqishëm i Rusisë, ka thënë se krijimi i Maqedonisë në vitet 1990, gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, ka qenë gabim, sepse “vendi është i ndarë në kampe etnike, që nuk mund të jetojnë bashkë në paqe”.

Ministria e Jashtme e Maqedonisë i hodhi poshtë këto komente, duke thënë se “ato krijojnë ankth të madh” dhe “ndezin retorikën nacionaliste” në rjaon.

Trumpit mund t’i paralizohet e drejta e vetos mbi sanksionet ruse

Një grup i senatorëve amerikanë paraqiti një ligj që do të paralizonte çdo përpjekje të administratës së presidentit Donald Trump për t’i hequr sanksionet kundër Rusisë, të vëna për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Ligji, i quajtur Akti i Rishikimit të Sanksioneve Ruse, ka mbështetjen edhe të republikanëve, edhe demokratëve dhe vjen në kohën e shqetësimeve në Kongres, në lidhje me politikat e administratës Trump ndaj Rusisë.

Trump, vazhdimisht, ka sinjalizuar se do bashkëpunim më të madh me Rusinë në fushat si lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, sidomos në Siri. Por, administrata e tij ka bërë deklarata në lidhje me Ukrainën dhe çështje të tjera, që dallojnë nga administrata e mëparshme.

Senatorët Lindsay Graham, republikan, dhe Ben Cardin, demokrat, janë në mesin e grupit që mbështesin legjislacionin, i cili kërkon mbikëqyrje të rreptë nga Kongresi dhe fuqi të vetos mbi administratën Trump, nëse kjo e fundit përpiqet të heqë sanksionet ndaj Rusisë.

“Arsyeja për Aktitn e Rishikimit të Sanksioneve Ruse është se ne kemi dëgjuar presidentin disa herë duke folur për reduktimin e mundshëm ose eliminimin e sanksioneve”, tha senatori Cardin.

Paraardhësi i Trumpit, Barack Obama, u ka ngrirë asete dhe u ka bllokuar vizat disa zyrtarëve të lartë rusë, pasi Moska ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po ashtu thonë se Rusia mbështet forcat separatiste në lindje të Ukrainës, të cilat luftojnë trupat qeveritare. Rusia e mohon një gjë të tillë.

Mbi 9,750 njerëz janë vrarë nga luftimet në rajonin Donbas të Ukrainës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, nuk pranoi të komentojë legjislacionin e ri për sanksionet kundër Rusisë.

Ai iu referua komenteve të ambasadores së SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, e cila ka thënë se sanksionet që lidhen me Krimenë, do të mbesin në fuqi derisa Moska t’ia dorëzojë kontrollin mbi gadishull Ukrainës.

“Nuk do të komentojmë për legjislacion në pritje. Sa u përket sanksioneve që kanë të bëjnë me Ukrainën dhe Krimenë, mendoj se ambasadorja Haley ka folur shumë, shumë qartë për to”, tha Spicer.

Senatori republikan, John McCain, po ashtu bashkëhartues i legjislacionit, tha se lehtësimi i sanksioneve kundër Rusisë do të dërgonte mesazh të keq, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, “vazhdon të shtypë qytetarët e tij, të vrasë kundërshtarët politikë, të pushtojë fqinjët, të kërcënojnë aleatët e Amerikës dhe të përpiqet të minojë zgjedhjet tona”.

Senatori demokrat, Cardin, shprehu optimizëm se legjislacioni do të marrë mbështetje të gjerë dypartiake në Kongres.

Përgatiti: Valona Tela

Sessions konfirmohet në postin e prokurorit të përgjithshëm të SHBA

Jeff Sessions

Senati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar të zgjedhurin e presidentit Donald Trump për prokuror të përgjithshëm.

Jeff Sessions është konfirmuar me 52 vota për dhe 47 kundër.

Sessions ka qëndrim të rreptë ndaj emigracionit dhe ka bashkëpunuar me Trumpin në formulimin e politikave të administratës për emigrimin.

Ai tani do të udhëheqë Departamentin e Drejtësisë.

Demokratët në Senat kanë akuzuar zotin Sessions për komente raciste.

SHBA, 30 vite burg për personin që i vuri zjarrin xhamisë

Schreiber i vuri zjarrin xhamisë në të cilën shkonte “sulmuesi nga Orlando” Omar Mateen

NEW YORK- Joseph Michael Schreiber, i cili në muajin shtator i vuri zjarrin xhamisë në Fort Pierce, është dënuar me 30 vite burg.

Schreiber i vuri zjarrin xhamisë në të cilën shkonte “sulmuesi nga Orlando” Omar Mateen.

Ai në muajin qershor të vitit të kaluar vrau 49 persona, ndërsa 53 të tjerë i plagosi. Në xhaminë u shkaktua dëm material prej rreth 100.000 dollarë, ndërsa gjykata në Floridë caktoi që Schreiber, i cili u pendua për atë që bëri, duhet të paguajë edhe gjobë në vlerë prej 10.000 dollarëve.

Pas hetimit të gjerë, policia njoftoi se zjarrin e vuri Schreiber i cili u arrestua më 14 shtator të vitit të kaluar.aa

Trumpi i ofron përkrahje Turqisë në bisedën telefonike me Erdoganin

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka përsëritur përkrahjen për Turqinë, “si partner strategjik dhe aleat i NATO-s”, gjatë një bisede telefonike që e ka pasur me homologun turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Sipas njoftimeve zyrtare, Trump, gjatë bisedës gjithashtu ka thënë se të dy vendet “janë të përkushtuara për të mundur terrorizmin në të gjitha format” ndërsa e ka mirëpritur kontributin e Turqisë në luftën kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik.

Anëtari i NATO-s, që është shtet fqinj me Sirinë, Irakun dhe Iranin, Turqia është një lojtar i rëndësishëm në rajon, por marrëdhënia e Erdoganit me ish presidentin amerikan, Barack Obama, si dhe me Evropën perëndimore, në disa raste kanë qenë të tensionuara.

Turqia është zemëruar me atë që e quan ngurrim të Uashingtonit për të dorëzuar klerikun turk, Fetullah Gylen të cilin e akuzon si orkestrues të puçit të dështuar, para katër muajsh.

Të dy aleatët gjithashtu kanë tensione për shkak të përkrahjes amerikane për grupin militant kurd, YPG, që Ankaraja e konsideron si organizatë terroriste.

Televizioni CNN Turk, ka thënë se Erdogan gjatë bisedës telefonike ka kërkuar nga Trump që SHBA ta ndërpresë përkrahjen për YPG-në, ndërsa televizioni tjetër turk, NTV ka raportuar se Erdogan i ka bërë thirrje Uashingtonit që ta përkrahë Turqinë në luftën kundër “rrjetit” të Gylenit.

SHBA: Mbështesim tërësinë territoriale të Maqedonisë

Pas komenteve të një ligjvënësi amerikan, i cili sugjeronte ndarjen e Maqedonisë, një zyrtar i Departamentit të Shtetit, i tha Zërit të Amerikës se politika e Shteteve të Bashkuara ndaj Maqedonisë nuk ka ndryshuar.

Shtetet e Bashkuara njohin dhe mbështesin sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës së Maqedonisë. Ky qëndrim nuk ka ndryshuar”, theksoi zyrtari amerikan.

Ligjvënësi republikan Dana Rohrabacher, në një intervistë për kanalin televiziv në Shqipëri, Vizion Plus, ishte shprehur se krijimi i Maqedonisë “është një projekt i dështuar”, se “shqiptarët që jetojnë atje duhet t’i bashkohen Kosovës, pasi kurrë nuk do të mund të shkojnë mirë me maqedonasit”. Ai sugjeronte që pjesa tjetër e Maqedonisë të bëhet pjesë e Bullgarisë apo e çdo vendi tjetër, me të cilin pretendon të ketë lidhje.

Komentet e ligjvenësit Rohrabacher, që është anëtar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë dhe kryetar i Nënkomisionit për Çështjet Evropiane, ngjallën shqetësime në Shkup. Ministria e Jashtme e Maqedonisë u shpreh përmes një deklarate se komente të tilla “ndezin retorika nacionaliste mes vendeve fqinje dhe kthejnë të kaluarën”.

SHBA kërkon të investohet më shumë në mbrojtjen raketore

Shtetet e Bashkuara duhet të investojnë më shumë në mbrojtjen raketore, marrë parasysh provat e përsëritura nga Irani dhe Koreja e Veriut, tha kreu i Komitetit për Shërbime të Armatosura, pranë Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.

Mac Thornberry i bëri këto komente pak ditë pasi administrata Trump ka vendosur sanksione të reja kundër Iranit, për shkak të testimit të një rakete balistike.

“Nëse shohim se çfarë po ndodh në botë – do të përmendja Iranin dhe Korenë e Veriut – rëndësia e mbrojtjes raketore po rritet”, tha Thornberry për gazetarët në Uashington.

“Aktorë në gjithë botën po ndërtojnë raketa që është vështirë të ndalen”, shtoi ai.

Uashingtoni dhe Seuli planifikojnë që këtë vit të ngrenë një sistem të avancuar të mbrojtjes raketore në Korenë e Jugut, për t’iu kundërvënë kërcënimeve në rritje nga Phenjani.

Presidenti Trump viziton CENTCOM

Presidenti Donald Trump premtoi mbështetje të plotë për ushtrinë amerikane në një fjalim që ai mbajti gjatë vizitës në Komandën Qendrore të Shteteve të Bashkuara, CENTCOM, në bazën ajrore MacDill në Tampa të Floridës.

Në fjalimin e shkurtër që mbajti pas një dreke me personelin e ushtrisë, zoti Trump shprehu mbështetje të fuqishme për NATO-n, por shtoi se “ne kërkojmë që të gjitha vendet anëtare të Aleancës të japin kontribut financiar.”

Presidenti foli kundër grupit Shteti Islamik, për të cilin ai the se është angazhuar “në një fushatë genocidi” në mbarë botën. Pa përmendur urdhërat ekzekutivë që ai ka nënshkruar javën e fundit për kufizimin e emigracionit në Shtetet e Bashkuara, zoti Trump tha është përpjekur dhe do të vazhdojë të përpiqet për ta mbajtur larg vendit terrorin islamik radikal.

Kjo ishte vizita e parë në CENTCOM e Presidentit Trump, pas fillimit të detyrës.

Kompanitë amerikane iniciativë ligjore kundër ndalimit të vizave

Google, Apple, Microsoft, Facebook, Twitter, Intel dhe Netflix, pretendojnë se ndalesa për vizat e vendosur nga Trump është në shkelje të ligjeve të emigracionit në vend

NEW YORK -Mësohet se 97 kompani amerikane kanë ndërmarrë një iniciativë ligjore kundër zbatimit të vizave dhe ndalesës së hyrjes në vend, pasi presidenti amerikan Donald Trump kishte vendosur për 7 vendet islame.

Në një deklaratë të përbashkët të nënshkruar edhe nga drejtuesit e kompanive të mëdha amerikane si Google, Apple, Microsoft, Facebook, Twitter, Intel dhe Netflix, pretendohet se ndalesa për vizat e vendosur nga Trump është në shkelje të ligjeve të migracionit në vend dhe të kushtetutës së SHBA-ve.

Në deklaratë vihet në dukje se dekreti i Trumpit ka krijuar ndryshime të menjëhershme në ligjet amerikane dhe se mund të dëmtojë seriozisht kompanitë amerikane.

Deklarata e nënshkruar nga drejtuesit e kompanive, është paraqitur në Gjykatën e Apelit të rajonit numër 9 në San Francisko.

Ekspertët duke tërhequr vëmendjen se kjo iniciativë ligjore nuk është një padi e hapur kundër Trumpit, kanë theksuar se drejtuesit e kompanive kanë kërkuar që deklarata e nënshkruar të merret në konsideratë nga Gjykata e Apelit.

Rikujtojmë se prokurori federal James Robart i qytetit Seatle në Washington, të premten e kaluar kishte pezulluar ndalesën e vizave të presidentit amerikan Donald Trump. Ndërsa Departamenti Amerikan i Drejtësisë kishte bërë ankimim në Gjykatën e Apelit të San Franciscos për rivendosjen në zbatim të kësaj ndalese, por gjykata për çështjen në fjalë mëngjesin e të dielës kishte refuzuar kërkesën. aa

Kerry, Albright e nxisin Gjykatën ta vazhdojë bllokimin e ndalim udhëtimit të Trumpit

Ish Sekretarët amerikan të Shtetit, John Kerry dhe Madeleine Albright

Ish-sekretarët amerikanë të shtetit, John Kerry dhe Madeleine Albright, janë pjesë e një grupi të demokratëve që i kanë bërë thirrje Gjykatës së Apelit ta vazhdojë ndalimin e aspekteve kyçe të urdhërit kundërthënës ekzekutiv të presidentit Donald Trump për imigrimin, përfshirë edhe ndalimin e hyrjes në SHBA të qytetarëve nga shtatë vende me popullatë kryesisht myslimane dhe pezullimin e gjithë programit të refugjatëve të SHBA-së.

Gjykata e Apelit në Qarkun e nëntë në San Francisko po e shqyrto çështjen pas një gjykatës në Seattle, Washington, vendosi se udhëtarët nga Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni si dhe refugjatët e verifikuar nga të gjitha shtetet munden, tani për tani, të vazhdojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara

Urdhëri i gjykatësit është kundërshtuar fuqishëm nga Trump, i cili më 5 shkurt ka paralajmëruar se gjykatat mund ta vënë Amerikën në “rrezik”

Dhjetë ish zyrtarë të lartë kanë shprehur shqetësimet e tyre në deklaratën e përbashkët që e kanë dorëzuar në gjykatën e San Franciscos më 6 shkurt, duke thënë se urdhëri ekzekutiv i 27 janarit është i “konceptuar keq, i implementuar dobët dhe sqaruar keq”.

Ata kanë shtuar se urdhëri dëmton sigurinë kombëtare duke thënë se “mund të rrezikojmë përpjekjet tona ushtarake duke dërguar mesazh ofendues” tek irakianët që punojnë me forcat amerikane të cilët janë duke luftuar kundër grupit ekstremist Shteti Islamik.

“Urdhëri ka të ngjarë të ushqejë narracionin e rekrutimit të IS-it dhe ekstremistëve të tjerë që thonë se SHBA-ja është në luftë me Islamin”, thonë ata.

Avokatët e kompanive të njohura amerikane të teknologjisë si Apple, Google dhe Microsoft, gjithashtu kanë dorëzuar argumentet e tyre në Gjykatën e Apelit në San Francisco, duke thënë se urdhëri i Trumpit “shkakton dëm të madh në bizneset amerikane”.

Më 4 shkurt, gjykata e apelit e ka hedhur poshtë kërkesën e Departamentit të Drejtësisë për rikthimin në funksion të ndalim udhëtimit, me arsyetimin se palët duhet të dorëzojnë argumente shtesë deri më 6 shkurt.

Pas dorëzimit të argumenteve shtesë, gjykata do të dalë shumë shpejtë me vedimin i cili sidoqë të jetë mund të përfundojë në Gjykatën Supreme të SHBA-së.

Kritika ndaj Trumpit për mbështetjen e tij për Putinin

Donald Trump gjatë një paraqitjeje të mëparshme në programin e gazetarit O’Reilly

Presidenti amerikan, Donald Trump, është ballafaquar me kritika nga republikanët dhe demokratët për komentet e tij me të cilat e mbrojti presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, gjatë një interviste televizive.

Në intervistën e transmetuar mbrëmë, gazetari i rrjetit FOX News, Bill O’Reilly, e pyeti Trumpin se a e respekton Putinin.

Kur Trump tha se e respekton, O’Reilly iu kundërvu duke thënë “por ai është vrasës, megjithatë” dhe ka shtuar se “Putin është vrasës”.

Trump është përgjigjur: “Ka shumë vrasës. Ne kemi shumë vrasës” dhe e ka pyetur gazetarin “çka mendoni, vendi ynë është aq i pafajshëm”?

Këtë çështje e ka komentuar lideri republikan në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Mitch McConnell.

“Nuk mendoj se ekziston barazi me mënyrën se si rusët e udhëheqin vetveten dhe mënyra me të cilën këtë e bëjnë Shtetet e Bashkuara”, tha McConnell.

“Ai është ish-agjent i KGB-së, bandit, nuk është zgjedhur në mënyrën që pjesa më e madhe e njerëzve e konsiderojnë zgjedhje kredibile”, i tha senatori McConnell rrjetit CNN.

Senatori tjetër republikan, Ben Sasse, nga Nebraska, i cili shpeshherë ishte kritik ndaj Trumpit, po ashtu, i ka kritikuar komentet e presidentit amerikan.

“Nuk ka ekuivalencë morale ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit me dashurinë më të madhe për liri në histori të botës, dhe banditëve vrasës, që janë në mbrojtje të nepotizmit të Putinit”, i tha Ben Sasse rrjetit televiziv, ABC.

Ish-ambasadori amerikan në Rusi, Michael McFaul, njëherësh këshilltar i ish-presidentit, Barack Obama, komentet e presidentit Donald Trump, i ka përshkruar si “të neveritshme”.

Trumpi dhe Stoltenbergu biseduan për Ukrainën

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar mbrëmë se presidenti amerikan, Donald Trump, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kanë biseduar me telefon për konfliktin në pjesën lindore të Ukrainës.

Mëtutje, në kumtesë theksohet se “është diskutuar potenciali për zgjidhjen paqësore të konfliktit”, në pjesën lindore të Ukrainës, pa dhënë detaje të tjera.

Zoti Trump, i cili në të kaluarën e ka kritikuar aleancën, gjatë bisedës telefonike ka shprehur “mbështetje të fuqishme” për NATO-n, por ka kërkur që aleatët të kontribuojnë më tepër financiarisht.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Donald Trump është pajtuar, që në muajin maj të marrë pjesë në samitin e liderëve të vendeve anëtare të NATO-s në Evropë.

SHBA: Trumpi vazhdon t’i sulmojë gjykatat

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka sulmuar gjykatat federale për të dytën ditë me radhë, pasi gjyqtarët e bllokuan përpjekjen e tij për implementimin e ndalesës kundër hyrjes në Shtetet e Bashkuara për shtetasit e 7 vendeve me popullatë shumicë myslimane dhe për refugjatët.

Mbrëmë vonë, zoti Trump ka tërhequr vërejtjen se gjykatat mund t’i vendosin amerikanët në “rrezik”.

“I kam dhënë udhëzime sigurisë së brendshme për t’i kontrolluar njerëzit që hyjnë në vendin tonë me shumë kujdes”, ka shkruar Donald Trump në rrjetin Twitter dhe ka shtuar se “gjykatat po e vëshirësojnë shumë punën tonë”.

Më 27 janar, presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv me të cilin përkohësisht u ndalohet hyrja të gjithë refugjatëve dhe udhëtarëve nga 7 vende, me popullatë shumicë myslimane: Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni.

Ky udhëzim ka shkaktuar protesta në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë saj.

Më 3 shkurt, gjyqtari federal në Sietël, James Robart, e ka bllokuar këtë urdhër në gjithë vendin, në pritje të shqyrtimit më të gjërë juridik.

Departamenti i drejtësisë i Shteteve të Bashkuara është ankuar kundër këtij vendimi.

Por, vonë më 4 shkurt, një gjykatë e apelit në San Francisko e ka refuzuar ankesën dhe e ka rivendosur ndalesën e zbatimit të urdhërit.

Pence: Irani të mos e testojë përkushtimin e presidentit Trump

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, presidenti Donald Trump dhe Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence e ka paralajmëruar Iranin që “të mos e testojë përkushtimin” e administratës së Donald Trump, disa ditë pasi Washingtoni ka vendosur sanksione ndaj republikës islamike si reagim ndaj testimit të një rakete balistike.

Pence e ka bërë paralajmërimin në një intervistë që është bërë sot derisa kanë filluar të rriten tensionet në mes të dy vendeve.

“Irani do të bënte mirë që të shikonte kalendarin dhe të kuptojë se në Zyrën Ovale tani është një president i ri. Dhe, Irani do të bënte mirë që të mos e testojë përkushtimin e presidentit të ri”, ka thënë Pence për “ABC News”.

Parlajmërimi u bë pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis e ka quajtur Iranin si “sponsorin më të madh shtetëror të terrorizmit në botë”.

I pyetur nga “ABC News”, se si do i përgjigjej SHBA-ja ndonjë provokimi nga Irani, Pence është përgjigjur: “presidenti ka thënë se çdo opsion do merret parasysh” – përfshirë edhe veprimet ushtarake.

Pence gjithashtu ka thënë se Uashingtoni është duke e kontrolluar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 që e obligon Iranin të kufizojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Pence ka thënë se për këtë, presidenti Trump do e marrë një vendim gjatrë ditëve në vijim.

Teherani e ka hedhur poshtë se testimi i raketës balistike e ka shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit që e ka arritur me gjashtë fuqitë botërore, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump flet për marrëdhënien e mundshme me Putinin dhe Rusinë

Presidenti Donald Trump thotë se megjithëse e “respekton” Presidentin rus Vladimir Putin, ata mund të mos kenë domosdoshmërisht një marrëdhënie të mirë.

Në një intervistë për televizionin Fox News, presidenti Trump tha se “është më mirë të kesh marrëdhënie pozitive me Rusinë dhe nëse Rusia na ndihmon në luftën kundër ISISI-it, një luftë madhore dhe në atë ndaj terrorizmit islamik kudo në botë, do të ishte diçka e mirë”. Por ai shtoi se nuk e di nëse do të merret vesh me të.

I pyetur për mizoritë e kryera nga zoti Putin në të kaluarën dhe se si mund ta respektonte presidenti Trump atë, duke njohur historinë, zoti Trump e krahasoi Rusinë me Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump tha se edhe në Shtetet e Bashkuara ka plot vrasës. “Si mendoni ju, se vendi ynë është aq i pafajshëm?” tha ai sipas disa pjesëve të intervistës që Fox News i publikoi, para transmetimit të plotë të saj pas disa orësh.

Kreu i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, iu përgjigj këtyre komenteve në një intervistë për CNN-in, duke thënë se “nuk ka asnjë barazvlerë” mes Shteteve të Bashkuara dhe Putinit.

SHBA, Apeli hodhi poshtë kërkesën e Trumpit për dekretin kundër emigracionit

Gjykata e Apelit në San Francisco refuzoi ankesën dhe kërkoi nga shteti federal Washington si dhe nga administrata e Donald Trumpit që deri të hënën pasdite të dorëzojnë më shumë argumente lidhur me ankesën e tyre

SAN FRANCISCO – Gjykata amerikane e Apelit ka hedhur poshtë të dielën kërkesën e Departamentit të Drejtësisë i cili ka kërkuar që të rivendoset në fuqi rregullorja për ndalesë të hyrjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të refugjatëve dhe shtetasve të shtatë shteteve me shumicë myslimane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Të shtunën administrata e Trumpit ankimoi në mënyrë zyrtare verdiktin e gjykatës federale e cila bllokoi ndalesën që e nënshkroi Trump, me të cilën nuk lejohej hyrja në SHBA për shtetasit e shtatë shteteve me popullsi kryesisht muslimane.

Më herët, Trump premtoi se do të kthejë prapa vendimin e lëshuar nga gjykatësi federal, James Robart.

Gjykata e Apelit në San Francisco refuzoi ankesën dhe kërkoi nga shteti federal Washington si dhe nga administrata e Donald Trumpit që deri të hënën pasdite të dorëzojnë më shumë argumente lidhur me ankesën e tyre.

Më 20 janar Donald Trump zyrtarisht mori postin e presidentit të SHBA-ve dhe gjatë javës së parë të detyrës, ai nënshkroi 15 dekrete të cilat i kishte premtuar në fushatë.

Në mesin e tyre është edhe dekreti me të cilën përkohësisht ndalohet hyrja në shtet të refugjatëve dhe qytetarëve nga të ashtuquajturat “shtete që kanë lidhje me terrorizmin”, Iraku, Libia, Siria, Irani, Sudani, Somalia dhe Jemeni.

Trumpi e mbron Putinin, thotë SHBA ka “vrasës” gjithashtu

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka hedhur poshtë përshkrimin e presidentit rus, Vladimir Putin si “vrasës”, duke thënë se Shtetet e Bashkuara kanë “shumë vrasës”, gjithashtu.

Intervista e plotë do të transmetohet nga televizioni Fox më 5 shkurt, pak para ndeshjes së kampionatit të futbollit amerikan e njohur si “Super Bowl”, ndërsa disa pjesë të saj janë transmetuar mbrëmë.

Në një nga pjesët e transmetuara, intervistuesi Bill O’Reilly e pyet Trumpin nëse ai e respekton Putinin?

“Unë e respektoj atë”, ka thënë ai dhe ka shtuar, “por, unë respektoj shumë njerëz. Kjo nuk do të thotë se do ia kalojë mirë me të”.

“Unë them që është më mirë t’ia kalojmë mirë me Rusinë, dhe nëse Rusia na ndihmon në luftën kundër (militantëve të Shtetit Islamik), që është një luftë e madhe, dhe terrorizmin islamik në tërë botën…kjo është një gjë e mirë”, ka thënë Trump gjatë intervistës.

O’Reilly më pas insiston, “po ai është vrasës, megjithatë. Putin është vrasës”.

“Ka shumë vrasës. Ne kemi shumë vrasës”, reagon Trump dhe shton “Çfarë mendon ti? Vendi ynë është shumë i pafajshëm?”rel

Trump – Poroshenkos: SHBA do punojë ta rikthejë paqen në Ukrainë

Shtëpia e Bardhë njofton se presidenti Donald Trump i ka thënë homologut të tij ukrainas, Petro Poroshenko se Shtetet e Bashkuara do të punojnë që t’i japin fund konfliktit në Ukrainen lindore, afër kufirit me Rusinë.

“Ne do të punojmë me Ukrainën, Rusinë dhe të gjitha palet e përfshira për t’i ndihmuar ata që të rivendosin paqen përgjatë kufirit”, ka thënë Trump ne komunikatën e publikuar.

Njoftimi ka shtuar se të dy liderët kanë diskutuar mundësinë e takimit në të ardhmen e afërt.

Ndërkaq, komunikata e zyres së presidentit Poroshenko thotë se të dy liderët kanë “nënvizuar nevojën urgjente të vendosjes së një armëpushimi të plotë” për tërë rajonin.

Presidenti ukrainas e ka falenderuar Trumpin për “përkrahjen e tij të fuqishme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, thotë më tej komunikata.

Thirrja telefonike ka ndodhur në kohën kur janë shtuar luftimet në mes të trupave ukrainase dhe separatistëve pro rusë që gjatë një jave të eskalimit ka marrë jetën e 35 personave.

Ukraina ka shprehur shqetësimin se Trump mund të heq disa prej sanksioneve që i janë vendosur Rusisë pasi Moska e aneksoi ilegalisht gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Trump rregullisht ka shprehur dëshirën për përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën. Biseda telefonike është bërë një javë pas telefonatës që Trump e ka pasur me presidentin rus, Vladimir Putin.

Më 2 shkurt, ambasadorja e re e SHBA-sënë OKB, Nikki Haley ka “dënuar ashper veprimet e Rusisë” në Ukrainën lindore dhe ka paralajmëruar se sanksionet ndaj Rusisë që kanë të bëjnë me Ukrainën nuk do të hiqen derisa Krimea t’i kthehet Kievit.

“Krimea është pjesë e Ukrainës. Sanksionet tona që kanë të bëjnë me Krimenë do të mbesin në fuqi derisa Rusia ta dorëzojë kontrollin mbi gadishullin te Ukraina”, ka thënë ajo.

Së paku 9800 njerez janë vrarë prejse ka filluar konflikti në Ukrainën lindore, në prill të vitit 2014.

Kongresisti Dana Rohrabacher në letër Nikoliçit: Ndryshoni kufijtë Kosovë-Serbi

 

Kongresisti Dana Rohrabacher hedh në tryezë shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës

Kongresisti Dana Rohrabacher, Kryetari i Nënkomitetit mbi Evropën, Euroazinë dhe Kërcënimet e Reja në Kongresin Amerikan Letër Nikoliçit: Tensionet, ndryshoni kufijtë Kosovë-Serbi/
Lidhja Qytetare Shqiptare Amerikane, me në krye Joe dhe Shirley Dioguardi, lobi më i fuqishëm shqiptaro-amerikan në SHBA u takua me Kongresistin Dana Rohrabacher pas përplasjeve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e arrestimit të Haradinajt dhe atë të trenit.

Kongresisti Dana Rohrabacher që është  Kryetari i Nënkomitetit mbi Evropën, Euroazinë dhe Kërcënimet e Reja në Kongresin Amerikan sjell sërish në vëmendje idene e shkëmbimit të territoreve dhe kufijve në veri.

Kongresmeni që letrën presidentit të Serbisë Tomislav Nikoliç, që Voal e ka botuar letrën, duke nxjerrë në pah provokimet serbe ndaj Kosovës thekson:

“Një tjetër shembull negativ së fundmi ishte treni me shkrime provokuese që u nis drejt veriut të Kosovës. Në vend që të përpiqeni që të fusni Kosovën në një luftë për sovranitetin e saj, në një zonë me shumicë popullsie serbe, të dyja palët duhet të kërkojnë një ndryshim të kufirit verior, që ka dobi të ndërsjelltë dhe do të rezultonte me më tepër serbë në Serbi dhe me më tepër kosovarë në Kosovë. Ky opsion është në dispozicion dhe nuk duhet të injorohet.”

Ligjvënësi amerikan, nënvizon se në letrën drejtuar Presidentit serb Nikoliç se arrestimi i Haradinajt, me një mandat te vjeter 13-vjeçar, është minim sigurisë të paqes dhe stabilitetit në rajon:

“Përpjekja për të burgosur Haradinajn si “kriminel lufte”, pasi ai është shpallur dy herë i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, është joproduktive dhe ngacmon një plagë të vjetër që po shkon drejt shërimit. Veprime të tilla hakmarrëse e të paarsyeshme padyshim që do të minojnë përpjekjet për sigurimin dhe ruajtjen e paqes në Ballkan.”

Kongresmeni Rohbaher, në mesazhin e fortë për kryetarin e shtetit serb, jep alarmin se veprime të tilla mund të çojnë në hapjen e kutisë së pandorës:

“Goditja ndaj një udhëheqësi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund edhe të hapë rrugën për sulme të ngjashme ligjore ndaj udhëheqësve serbë të përfshirë në gjakderdhje dhe spastrim etnik gjatë konfliktit të shëmtuar dhe brutal që ka përfshirë Ballkanin pas rënies së Jugosllavisë. Përderisa po ndodhin veprime të tilla, shtohet mundësia e prishjes së rendit publik dhe madje për shpërthimin e dhunës në një shkallë të pakontrollueshme. Në vend të nxitjes së zjarreve të konfliktit, të gjitha palët në Ballkan duhet të kërkojnë pajtim, nga i cili do të përfitonte i tërë rajoni.”

Kongresmeni Rohrabacher njihet si një prej njerëzve që e ka përkrahur fort ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës, duke e ngritur zërin fuqishëm në Kongresin amerikan ne mbrojtje te kauzes shqiptare. Liga Shqiptare Shqiptaro-Amerikane ka mbajtur lidhje të forta me atë dhe anëtarë të tjerë të Kongresit dhe Senatit Amerikan.

SHBA, Departamenti i Shtetit anulon ndalimin e vizave për të huajt

Personat që kanë qenë të përfshirë në vendimin e Trumpit dhe që kanë vizë mund të udhëtojnë në SHBA

WASHINGTON – Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se të shtunën është nisur një proces për anulimin e mosdhënies të vizave për të huajt, pasi gjykatësi federal të premten pezulloi vendimin ekzekutiv të presidentit Donald Trump rreth emigracionit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Departamenti i Shtetit thekson se më shumë se 60 mijë të huaj nga shtatë vendet me shumicë myslimane që kishin viza “janë marrë përkohësisht” në përputhje me vendimin e Trumpit për mos lejim të udhëtimit në SHBA.

Departamenti i Shtetit thotë se kanë filluar të punojnë rreth kthimit të vizave, pasi që Departamenti i Drejtësisë është informuar për vendimin e gjykatësit federal. Më tej shtohet se personat që kanë qenë të përfshirë në vendimin e Trumpit dhe që kanë vizë mund të udhëtojnë në SHBA.

Vendimi i gjykatësit federal bllokon përkohësisht urdhrin ekzekutiv të Trumpit

Një gjykatës federal në shtetin e Uashingtonit vendosi të premten të bllokojë përkohësisht urdhrin ekzekutiv të presidentit Trump që ndalon hyrjen e udhëtarëve nga shtetë vende me shumicë myslimane. Presidenti amerikan reagoi nëpërmjet Twitterit se vendimi i gjykatësit është “qesharak” dhe se zotohet ta shfuqizojë.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit konfirmoi për Zërin e Amerikës sot se personat me viza të vlefshme do të lejohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Dhe Departamenti për Sigurinë Kombëtare, në përputhje me urdhrin e gjykatësit tha sot se do të ndërpresë ndalimin e udhëtarëve nga disa vende që ishin në qendër të urdhrit ekzekutiv të Presidentit Trump.

Gjykatësi federal i Distriktit të Shtetit të Uashingtonit, James Robart, vendosi të premten se shtetet e Uashingtonit dhe të Minesotës kanë të drejtë ligjore për të kundërshtuar urdhërin ekzekutiv të presidentit Donald Trump.

“Gjykata arrin në përfundimin se hyrja e të përshkruarve më sipër është e nevojshme dhe ky është vendimi i shtetit” tha gjykatësi Robart.

Agjencia federale për Mbrojtjen e Kufirit tha se do të veprojnë në përputhje me vendimin.

“Vendimi i gjykatësit Robart hyn në fuqi menjëherë dhe i vë një ndalesë urdhrit jokushtetues dhe të paligjshëm ekzekutiv të presidentit Trump”.

“Në sallën e gjyqit nuk mbizotëron zëri më i lartë, por kushtetuta”, i tha gazetarëve prokurori i përgjithshëm i shtetit të Uashingtonit Bob Ferguson.

Shtëpia e Bardhë më pas të premten lëshoi një deklaratë duke thënë se Departamenti i Drejtësisë “sa më shpejt të jetë e mundur” do të bëjë kërkesë për “një ndalesë emergjente të këtij vendimi revoltues”. Menjëherë paskëtaj, Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë të dytë pa fjalën “revoltues”. Deklarata gjithashtu mbrojti urdhrin ekzekutiv të presidentit Trump si “të ligjshëm dhe të përshtatshëm”.

Urdhri ekzekutiv i presidentit, i cili ndalon hyrjen e njerëzve që kanë viza dhe janë nga Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni, shkaktoi protesta në aeroportet e qyteteteve të mëdha të Shteteve të Bashkuara. Zoti Trump thotë se masa është e nevojshme për të mbrojtur sigurinë e popullit amerikan nga terroristët.

Avokatët e Departamentit të Drejtësisë thonë se më shumë se 100 mijë viza janë anuluar si rezultat i urdhrit ekzekutiv të Presidentit Trump, ndërkohë që Departamenti i Shtetit thonë se ishin më pak se 60 mijë viza që u anuluan.

Qeveria e shtetit të Uashingtonit e bëri kërkesën për sfidën ligjore më parë kësaj jave, dhe shteti i Minesotës iu bashkua padisë. Raste të tjera janë paraqitur në gjykata amerikane dhe aktualisht pritet për vendimet.

Letra që Kongresmeni Rohrabacher do t’i dërgojë Presidentit të Serbisë Nikoliq për Ramush Haradinajn

Në foto lobisti i njohur Luan Bukolla me Kongresmenin Dana Rohrabacher

 

Lobisti i njohur Luan Bukolla, pranë Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane me kryetar ish-Kongresmenin Joe DioGuardi sjell letrën që Kongresmeni Amerikan do t’i dërgojë Serbisë duke protestuar për ndalimin e Ramush Haradinajt në Francë.

Ai shkruan në rrjetin social se ka qenë bashkë me Joe DioGuardin dhe zonjën e tij Shirley Cloys DioGuardi në një takim të organizuar nga LQSHA me Kongresmenin Republikan Dana Rohrabacher, i cili është Kryetari i Nënkomitetit mbi Evropën, Euroazinë dhe Kërcënimet e Reja në Kongresin Amerikan. Anëtarët e Këshillit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane në New York e organizuan këtë takim për të ndarë bashkë me Kongresmenin Republikan shqetësimin në lidhje me veprimet e fundit agresive nga Serbia ndaj Kosovës.

Shkak për arrestimin në Francë i ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj, ishte një urdhër arresti, trembëdhjetë-vjeçar, i iniciuar nga Qeveria Serbe.

Kongresmeni Rohrabacher ka rënë dakord për t’i dërguar një leter të fortë në Beograd Presidentit Tomislav Nikoliq.

Letra që Kongresmeni Rohrabacher  do t’i dërgojë Nikoliqit është në dy variante shqip dhe anglisht që ne po ua sjellim lexuesit të nderuar.

Shqiptarët, plebishit online në mbrojtje të Donald Lu-së

Pas akuzave të rënda që i janë bërë Donald Lu-së nga kryeprokurori Adriatik Llalla, por edhe nga qarqe të lidhura politikisht që kanë kundërshtuar reformën në drejtësi, shqiptarët kanë dhënë një përgjigje të fortë në mbrojtje të kryediplomatit amerikan në Tiranë.

Në faqen zyrtare të Ambasadës së SHBA-së në Facebook ka patur një referendum të vërtetë përkrahjeje, që shtohet çdo moment.

Një lumë pëlqimesh, shpërndarjesh dhe komentesh, të cilat kanë bërë që postimi i ambasadës me shprehjen “SHBA nuk dorëzohet” të kthehet në lajtmotivin e ditës.

Sipas një vëzhgimi, deri në orën 00:00 të ditës së sotme, në postimin e ambasadës ka pasur 5400 pëlqime, 911 shpërndarje, dhe gati 671 komente në mbështetje të ambasadorit amerikan në Tiranë, raporton Tesheshi.

Ajo që bie në sy është se të gjitha komentet janë me llogari Facebook-u të identifikuara me emër dhe mbiemër.

Krejt ndryshe nga ata të cilët e sulmojnë, që janë përgjithësisht anonimë dhe me adresa Facebook-u të rreme.

Ja ç’shkruan një qytetar që identifikohet qartësisht:

“Z. Ambasador, kjo do jete lufte sh. e eger….mos hezitoni te therisni edhe nen arme po te jete nevoja bijte me te mire te ketij vendi per te mbrojtur te ardhmen e femijeve dhe demokracine ne kete vend te pushtuar….

.Faleminderit Zoti ju bekofte ju Zoti e bekofte Ameriken,Zoti e bekofte Shqiperine.”

Ndërkaq, një intelektual i njohur në vend, Bujar Kokonozi, i cili njihet si person jo i ndikuar nga politika, hap serinë e komenteve:

“Respekt per amb. Donald Lu. Ti kundervihesh njerezve qe LIGJIN duhet ta zbatojne te paret per pozicionet qe mbajne eshte MBIVLERE.

Turpi i mbetet asaj pjese te politikes shqiptare qe bejne kompromise me keta njerez te pacipe per interesa te tyre.”

Edhe në faqet online të portaleve shqiptare, mbështetja ndaj ambasadorit amerikan ka qenë plebishitare.

Vetëm në faqen e gazetës TemA, ka pasur me mijëra komente në mbështetje të ambasadorit amerikan.

 

DASH shpreh mbështetjen për Donlad Lu: Respektoni shtetin ligjor

I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse veprimet e ambasadorit Lu në Tiranë përfaqësojnë qëndrime personale dhe jo të Departamentit të Shtetit, zëdhënësi në detyrë Mark Toner u shpreh se “politika e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri është të mbështesë anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe kryerjen e reformave të nevojshme për arritjen e këtij synimi. Kjo përfshin reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.”Reagimi i Departamentit të Shtetit vjen një ditë pas shkëmbimit të akuzave publike mes Ambasadorit Lu dhe Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla. Ambasadori Lu e akuzoi prokurorin e përgjithshëm për pengim të reformës në drejtësi. Zoti Llalla u kundërpërgjigj duke e akuzuar zotin Lu për shantazh dhe ndërhyrje ndaj institucionit të tij.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha të premten se “Ambasadori Lu dhe ekipi i tijkanë punuar në partneritet me autoritetet shqiptare dhe me shoqërinë civile për të realizuar politikat dhe synimet e Shteteve të Bashuara. Departamenti i Shtetit ka besim të plotë tek ambasada dhe ambasadori në Tiranë”, u shpreh zëdhënësi.

“Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje me forcë gjithë partive të respektojnë shtetin ligjor dhe procesin demokratik. Shtetet e Bashkuara duan të shohin një Shqipëri të fortë dhe të integruar plotësisht në familjen Euro-Atlantike”, përfundon zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Mark Toner.

SHBA i vë sanksione Iranit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur sanksione ndaj Iranit, pasi ky i fundit ka testuar një raketë balistike më 29 janar.

Departamenti i Thesarit ka bërë publike masat kundër 13 njerëzve dhe dhjetëra kompanive.

“Irani është duke luajtur me zjarr”, ka shkruar Trump më herët në Twitter.

Irani është përgjigjur duke thënë se nuk do të dorëzohet përballë kërcënimeve “të padobishme” të Amerikës nga një “person i papërvojë”.

Trump, në të njëjtin postim në Twitter, ka thënë se Qeveira e Iranit nuk e ka vlerësuar se sa e sjellshme ka qenë SHBA-ja me të.

Ky koment duket se është referencë për marrëveshjen bërthamore, që Irani ka nënshkruar me SHBA-në dhe fuqitë e tjera bërthamore.

Me këtë marrëveshje, të vitit 2015, Irani ka rënë dakord të frenojë programin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Me rezolutë të OKB-së, Iranit i ndalohet testimi i raketave me kapacitet bërthamor.

Haley: Sanksionet kundër Rusisë mbeten deri sa të kthehet Krimeja

Ambasadorja Nikki Haley në seancën e mbrëmshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley, ka shprehur “dënim të ashpër të aksioneve të Rusisë” në pjesën lindore të Ukrainës dhe ka tërhequr vërejtjen se sanksionet e ndërlidhura me Ukrainën kundër Rusisë nuk do të tërhiqen, derisa Krimeja t’i kthehet Ukrainës.

“Krimeja është pjesë e Ukrainës”, tha Nikki Haley mbrëmë në Këshillin e Siurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe ka shtuar se “sanksionet tona të ndërlidhura me Krimenë mbesin ashtu siç janë, derisa Rusia ta kthejë kontrollin e gadishullit tek Ukraina”.

Mëtutje, ajo ka theksuar se “Ukraina Lindore, natyrisht, nuk është e vetmja pjesë e vendit që vuan për shkak të aksioneve agresive të Rusisë” dhe se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta dënojnë këtë dhe ftojnë për përfundim të menjëhershëm të okupimit rus të Krimesë”.

Ambasadorja Nikki Haley tha se është për “keqardhje” që në paraqitjen e saj të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ajo duhet ta dënoj Rusinë, me të cilën tha se Uashingtoni “dëshiron përmirësim të raporteve”.

Trump: asnjë mundësi nuk përjashtohet në reagimin ndaj Iranit

Shtëpia e Bardhë thotë se lëshimi i një rakete balistike nga Irani rrezikon marrëveshjen bërthamore të nënshkruar me këtë vend.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thotë se Irani tashmë është “paralajmëruar zyrtarisht” për lëshimin e raketës balistike.

Mesazhi i tij u dha nëpërmjet Twitter, ku ai gjithashtu sërish dënoi marrëveshjen e arritur nga SHBA dhe pesë fuqi botërore duke synuar kufizimin e programit bërthamor të Iranit në shkëmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Presidenti Trump tha se Irani duhet të jetë mirënjohës për marrëveshjen nëpërmjet së cilës përfitoi miliarda dollarë fonde që kishin qenë të ngrira.

Lëshimi i raketës u dënua dje edhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn, i cili e përshkroi si episodin më të fundit në një seri incidentesh gjatë gjashtë muajve të fundit kur Irani ka kërcënuar SHBA-në dhe aleatët në rajon. Zoti Flynn tha se udhëheqësit në Teheran patën marrë kurajo për veprime të tilla nga një marrëveshje “e dobët dhe e paefektshme”, dhe pasi vendet e tjera të përfshira nuk kanë ndërmarrë hapa ndaj ambicieve ushtarake të Iranit.

Gjatë një sesioni informuese në Shtëpinë e Bardhë, zoti Flynn akuzoi ish-Presidentin Barack Obama dhe anëtarët e administratës së tij se nuk kanë qenë të ashpër sa ç’duhet me Iranin.

Të enjten, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me drejtuesit ekzekutivë të kompanisë Harley-Davidson, zoti Trump tha se “asnjë mundësi nuk përjashtohet”, duke ju përgjigjur pyetjes së një gazetari në se ndërhyrja ushtarake ndaj Iranit përbënte një opsion.

Ian Lustick, profesor i shkencave politike në Universitetin e Pensilvanisë, i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara duhet të tregohen të kujdesshme në trajtimin e çështjes së Iranit, duke cituar si shembull se Teherani mund ta vështirësojë situatën për 6 mijë ushtarët amerikanë që ndodhen në Irak.

“Shumica e popullsisë në Irak janë shiitë dhe në një farë mënyre, ata kanë simpati ndaj Iranit”- tha profesori. “Në Irak ka një numër të madh forcash milicore të fuqishme, të cilat komandohen dhe stërviten nga iranianët. Këto njësi janë nga më të të mirat dhe që kanë patur sukses në luftën kundër ISIS-it”, “- tha profesori Lutsick.

Departamenti i Thesarit zbut disa kufizime ndaj Rusisë

Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi të enjten se po lehtëson disa nga kufizimet ndaj transaksioneve të biznesit me Shërbimin Rus të Sigurisë (FSB), pavarësisht nga sanksionet kibernetike të vendosura nga Presidenti Barack Obama.

Urdhri i publikuar në faqen e Departamentit të Thesarit, duket se lehtëson kufizimet për disa produkte për teknologjinë e informacionit dhe i lejon kompanitë që të paguajnë deri në 5 mijë dollarë në vit për leje ose liçenca që lëshohen nga FSB.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer tha se kjo lëvizje nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara po lehtësojnë sanksionet ndaj Rusisë.

“Ne nuk po zbusim sanksionet. Departamenti i Thesarit, mesa kuptoj, është një praktikë e zakonshme për Departamentin e Thesarit, pasi janë vendosur sanksionet, për të shqyrtuar nëse ekziston nevoja për të rishikuar analizë për industri, produkte apo shërbime të veçanta. Por do t’ju sugjeroja që të drejtoheni tek Departamenti i Thesarit për këtë çështje”, tha ai.

Edhe Presidenti Donald Trump u pyet për këtë ndryshim dhe tha se “nuk po zbut asgjë”.

Ish-Presidenti Barack Obama forcoi sanksionet kundër Rusisë në dhjetor, pasi agjencitë amerikane të zbulimit akuzuan Rusinë se kishte depërtuar në kompjutera të lidhura me Partinë Demokrate, si pjesë e një fushate të gjerë për të sabotuar kandidatet demokrate për Presidente, Hillary Clinton.

Agjencitë amerikane të zbulimit vazhdojnë hetimin për këtë çështje.

Protesta në universitetin e Kalifornisë, reagon presidenti

Një protestë mori përmasa të dhunshme në universitetin e Kalifornisë ku pritej të mbahej një takim në të cilin do të merrte fjalën edhe drejtuesi i një faqeje interneti, me prirje të ekstremit të djathtë. Milo Yiannopoulos njihet për nxitjen e temave provokuese dhe vitin e kaluar ai u ndalua të përdorë faqen Twitter për shkak se udhëhoqi një fushatë diskrimuese ndaj një aktoreje afrikano-amerikane.

Protestuesit hodhën fishekzjarre e bomba me tymuese si dhe ndezën një zjarr pranë vendit ku ishte parashikuar të mbante fjalën Milo Yiannopoulos. Dhuna detyroi autoritetet e universitetit të anulojnë aktivitetin duke vënë sigurinë në krye të axhendës.

Është e rëndësishme të kuptohet se dhuna që po ndodh dhe individët që po e nxisin, nuk mendoj se përfaqësojnë shumicën e studentëve. Kjo vetëm sa i jep mjete për të sulmuar atyre individëve ndaj të cilëve protestuam, që të na cilësojnë të padrejtë dhe se po krijojmë destabilitet shoqëror. Mendoj se duhet të dënojmë këto akte dhune por njëkohësisht të njohim faktin se protestat janë të rëndësishme”, tha një student që nuk pranoi të japë detaje për emrin e tij.

Yiannopoulos njihet si mbështetës i presidentit Donald Trump. Ai është gjithashtu është vetëshpallur si “karemi i internetit”, term që përdoret për ata që u japin zë temave provokuese që synojnë debat, kryesisht emocional, shpesh të ashpër. Vitin e kaluar ai u ndalua të përdorë faqes sociale “Twitter” pasi ishte vënë në krye të një fushate kundër aktores afronikano-amerikane Leslie Janes protagoniste kryesore në komedinë “Ghostbusters”.

Klubi i studentëve republikanë të universitetit organizoi visitën e tij në kampus. Autoritetet e universitetit theksuas se nuk i mbështesin idetë e Yiannopoulos, i kritikuar si racist, paragjykues ndaj grave dhe një supremacist i bardhë anti mysliman. Por ata thonë se universiteti mbështet fjalën e lirë dhe për këtë arsye nuk e ndalën fillimisht paraqitjen e Milo Yiannopoulos.

Duke reaguar sot për protestat në faqen sociale “Twitter” presidenti Donald Trump u shpreh se universiteti nuk po lejon fjalën e lirë dhe ushtron dhunë ndaj atyre që kanë pikëpamje të ndryshme. Ai lë të kuptohet se me një qëndrim të tillë univesrsiteti mund të rrezikojë fondet federale.


Send this to a friend