Shtetet e Bashkuara sot e kanë dënuar ashpër aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë dhe referendumin që Moska e ka organizuar atje, të cilin më vonë e ka shfrytëzuar për arsyetim të aneksimit të këtij rajoni në Detin e Zi.
Ky dënim u bë në trervjetorin e referendumit të organizuar, kur forcat ruse pa shenja i okupuan ndërtesat kryesore qeverisëse në Krime, pasi presidenti i atëhershëm i Ukrainës, Viktor Yanukovich, u largua në Rusi, pas protestave masive në gjithë Ukrainën.
Ky dënim, po ashtu, është shembulli i fundit i vazhdimit të qëndrimit të ashpër publik të Uashingtonit për Krimenë, të cilin presidenti aktual, Donald Trump, që kishte premtuar për të synuar marrëdhënie më të mira me Rusinë, e ka trashëguar nga paraardhësi i tij, Barack Obama.
“Shtetet e Bashkuara nuk e njohin ‘referendumin’ e Rusisë më 16 mars të vitit 2014, e as përpjekjen për aneksimin e Krimesë dhe shkeljen e vazhdueshme të së drejtës ndërkombëtare”, tha nëpërmjet një deklarate, zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Mark Toner, dhe ka shtuar se “edhe njëherë e riafrimojmë përkushtimin tonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.
Mëtutje, ai theksoi se “sanksionet tona të ndërlidhura me Krimenë do të mbesin ashtu siç janë, derisa Rusia t’ia kthejë Ukrainës kontrollin ndaj gadishullit”.
Duke folur para gazetarëve në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dimtry Peskov, sot e ka hedhur poshtë mundësinë se Krimeja do t’i kthehej Ukrainës, sipas ndonjë lloj marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara.