VOAL

VOAL

Gjashtë të vdekur dhe qindra të lënduar nga stuhia që përfshiu Ballkanin

Një zjarrfikës kroat ka vdekur gjatë stuhisë vdekjeprurëse që përfshiu Ballkanin pas një vale të të nxehtit, duke e çuar numrin e të vdekurve në gjashtë, thanë zyrtarët më 20 korrik.

Në të gjithë Ballkanin, autoritetet raportuan qindra të lënduar, duke përfshirë disa në gjendje më të rëndë, nga pemët, pjesët e çative ose objekte të tjera të rrëzuara nga erërat e forta.

Pas disa ditësh shumë të nxehta dhe të thata, Ballkani përjetoi stuhinë e dytë brenda dy ditësh, teksa pjesë të tjera të Evropës po luftojn me zjarre dhe temperatura të larta.

Shërbimet e urgjencës në Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe Serbi u përpoqën më 20 korrik të rivendosin energjinë elektrike dhe të pastrojnë mbeturinat e mbetura pas kaosit të një dite më parë.

Meteorologët thanë se stuhia ishte jashtëzakonisht e fuqishme pasi u formua pas një vargu ditësh shumë të nxehta.

Më herët, në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb, janë raportuar dy viktima si pasojë e stuhisë. Sipas policisë kroate, dy burra humbën jetën pasi u goditën nga rrëzimi i pemëve. Ngjarja përfshinte një 50-vjeçar që ndodhej jashtë në rrugë dhe një 48-vjeçar që ndodhej brenda makinës së tij gjatë fatkeqësisë.

Mjekja e urgjencës, Ljupka Hitrova, ka bërë të ditur për agjencinë zyrtare të lajmeve Hina se të dy viktimat kanë pësuar lëndime të rënda në kokë.

Në Cernik të Kroacisë, një person tjetër humbi jetën sa ishte në makinën e tij, gjithashtu nga rrëzimi një i peme.

Diku tjetër në Zagreb, një 36-vjeçar u lëndua rëndë kur një vinç pranë një zone ndërtimi u shemb, thuhet në deklaratën e policisë.

Stuhia errësoi papritur qiellin dhe solli shi, përmbytje të shpejta dhe erëra në të gjithë Zagrebin duke filluar rreth orës 16:00.

Transporti i qytetit u ndal, pati ndërprerje të energjisë elektrike dhe rrugët u bllokuan për shkak të pemëve të rrëzuara.

Shërbimet e urgjencës së Zagrebit u kërkuan qytetarëve të kenë durim, pasi qindra thirrje për ndihmë erdhën menjëherë.

“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që të thërrasin vetëm nëse janë në një situatë kërcënuese për jetën, deri në stabilizimin e situatës”, tha kryetari i bashkisë së Zagrebit, Tomislav Tomaseviq në Twitter.

Një situatë e ngjashme u raportua në Slloveninë fqinje, ku era e fortë rrëzoi pemë dhe dëmtoi çatitë.

Transmetuesi publik RTV Sllovenia raportoi se një person humbi jetën dhe një tjetër u plagos kur një pemë ra mbi ta në zonën e liqenit Bled.

Një person humbi jetën në Bosnje dhe të paktën 20 u plagosën, thanë autoritetet atje.

Autoritetet në Serbi lëshuan paralajmërime për qytetarët ndërsa stuhia u zhvendos drejt lindjes.

Erërat e forta u përhapën nëpër kryequtetin serb të Beogradit, të mërkurën në mbrëmje.

Disa pjesë të qytetit mbetën pa energji elektrike dhe aeroporti i Beogradit u mbyll përkohësisht. Një video e postuar në rrjetet sociale tregon një vinç të madh duke rënë.

Diku tjetër në Serbi, banorët raportuan pemë të çara në mes, tulla që binin dhe çati të dëmtuara.

Një vajzë 12-vjeçare u shtrua në spital pasi një pemë ra mbi të në qytetin verior të Novi Sadit, thanë mjekët.

Shërbimet e urgjencës në të tre vendet raportuan qindra ndërhyrje ndërsa stuhia përfshiu rajonin.

Autoritetet paralajmëruan alpinistët të qëndrojnë larg atyre zonave me pemë.

Aksidenti me 5 shqiptarë të vdekur në Greqi, identifikohen kush janë viktimat

Zbardhen emrat e viktimave të aksidentit të djeshëm në Greqi ku humbën jetën pesë persona me origjinë shqiptare.

Sipas mediave bëhet fjalë: për shoferin, Besim Muçaj 55 vjeç, Ilir Daci 50-vjeç, Ergin Peposhi, 19 vjeç, Ardit Peposhi, 16-vjeç dhe Gazment Brahaj, 47-vjeç.

Aksidenti ka ndodhur pasditen e djeshme në kilometrin e 87-të të rrugës nacionale Follorinë-Selanik, ku në rrethana ende të paqarta, një automjet është përplasur kokë më kokë me një kamion, për pasojë kanë humbur jetën të pesë personat që udhëtonin në mjet.bw

Vulini ‘non grata’ nga SHBA, Vuçiçi s’pranon ta shkarkojë: Nëse SHBA ka dëshmi për të, do ta ndjekim penalisht

Presidenti Aleksandër Vuçiç nuk pranon të shkarkojë nga detyra Drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion Aleksandër Vulin i shpallur ‘Non Grata’ nga SHBA.

Serbia do t’i kërkojë SHBA-së të sigurojë prova dhe dëshmi kundër Aleksandër Vulin-it, ka deklaruar Vuçiç.

Sanksionet e vendosura për Vulin janë përgjegjësi e imja thotë Vuçiç pasi kanë të bëjnë me mos vendosjen nga Serbia të sanksioneve ndaj Rusisë dhe për këtë përgjegjëse është qeveria e Vuçiç.

Sipas presidentit serb futja në listën e zezë të Vulin nga SHBA nuk ka të bëjë me përfshirjen në trafikun e drogës dhe armëve me bandat e krimit të organizuar. Vuçiç tha se ka marrëdhënie të mira me zyrtarët amerikanë, veçanërisht ambasadorin Christopher Hill.syri.net

Temperaturat e larta detyrojë Greqinë të mbyllë Akropolin

Greqia ka mbyllur Akropolin antik për shkak të temperaturave të larta që ka regjistruar të premten. Mbyllja është bërë për të mbrojtur turistët, teksa jugu i Evropës është goditur nga një valë e të nxehtit.

Agjencia Hapësinore Evropiane (ESA), satelitët e së cilës monitorojnë temperaturat në tokë dhe det, ka paralajmëruar se Italia, Spanja, Franca, Gjermania dhe Polonia po përballen me kushte ekstreme.

Në Athinë temperaturat më 14 korrik arritën mbi 40 gradë Celsius dhe autoritetet mbyllën për turistët Kodrën e Akropolit ku gjendet tempulli Partenon, që vizitohet nga miliona persona çdo vit.

Ministria e Mbrojtjes Civile në Greqi ka paralajmëruar se për shkak të të nxehtit pesë zona përreth mund të përballen me zjarre duke paralajmëruar banorët që të shmangin këto zona.

Ndërkaq, mjekët kanë rekomanduar që të moshuarit dhe ata që kanë probleme shëndetësore të shmangin daljen jashtë për shkak se ata janë më të rrezikuar nga vala e të nxehtit.

Javën e ardhshme temperaturat mund të shënojnë një rekord në Evropë dhe të thyejnë rekordin prej 48.8 gradë Celsius që u regjistrua në gusht të vitit 2021 në Sicili.

Një studim i publikuar së fundi tregoi se për shkak të valës së të nxehtit mbi 61.000 persona kanë vdekur verën e kaluar në Evropë.

Ndërkaaq, javën e kaluar, çdo ditë bota shënoi ditën më të nxehtë.

Përveç Evropës edhe Shtetet e Bashkuara po përballen me temperatura të larta dhe pritet që ato të arrijnë rekord në ditët në vijim.

Qyteti Feniks në Arizona për 15 ditë resht ka shënuar temperatura mbi 43.3 gradë Celsius.rel

Hill: Sanksionimi i Vulinit nuk nënkupton marrëdhënie më të këqija Serbi-SHBA

Ambasadori amerikan në Serbi Christopher Hill tha më 13 korrik se SHBA nuk dëshiron të ketë ndonjë marrëdhënie me shefin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, por se sanksionet e vendosura ndaj tij si individ nuk nënkuptojnë marrëdhënie më të këqija me Serbinë.

“SHBA studioi me kujdes Vulin dhe aktivitetet e tij dhe arriti në përfundimin se ai nuk është dikush që duam në Amerikë. Në këtë mënyrë, sanksionet janë një mënyrë për të mbrojtur SHBA-në”, u tha ai gazetarëve gjatë një turneu në zonën arkeologjike Belo Bërdo.

Më 11 korrik, Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit vendosi në listën e sanksioneve drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandar Vulin.

Sipas Thesarit, Vulin është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Më 13 korrik, ambasadori Hill tha se mendon që Serbia është në rrugën e duhur dhe se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Serbisë janë të mira, dhe po përmirësohen.

“SHBA dëshiron të ndihmojë Serbinë, e cila tregon qartë se dëshiron të jetë pjesë e institucioneve perëndimore. Ne do ta ndihmojmë atë në masën që dëshiron vetë Beogradi”, tha Hill.

Gjatë një vizite në punimet për restaurimin dhe rehabilitimin e një zone arkeologjike, të cilat po kryhen nga Qeveria e Serbisë dhe mbikëqyren nga Ambasada Amerikane, Hill shtoi se Vulin nuk do të mund të marrë një vizë amerikane.

Nënsekretari i Departamentit të Thesarit të SHBA-së, Brian E. Nelson, deklaroi në shpjegimin e sanksioneve kundër Vulin më 11 korrik se vendimi e mbante atë përgjegjës për aktet e supozuara korruptive dhe destabilizuese që mundësonin edhe aktivitetet keqdashëse të Rusisë në rajon.

Ai shtoi se Departamenti i Thesarit nuk do të përmbahet nga shënjestrimi i aktorëve që “abuzojnë me pozitat e tyre për përfitime personale, në të njëjtën kohë duke minuar autoritetet demokratike në Ballkanin Perëndimor”.

Partia e Vulin, Lëvizja Socialiste, e cila është pjesë e koalicionit me Partinë Progresive Serbe në pushtet, hodhi poshtë akuzat dhe kritikoi SHBA-në. Vetë Vulin nuk është deklaruar publikisht.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ende nuk i është përgjigjur pyetjeve nëse do të zëvendësojë Vulin, por ka paralajmëruar hetim për akuzat e SHBA-së.

Vulin është drejtor i Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, ndërsa më parë ka qenë ministër i Mbrojtjes dhe Ministër i Brendshëm.REL

Vuçiq reagon: Unë nuk e vura re që kokaina u gjet në zyrën e Vulinit, por në Shtëpinë e Bardhë

Vuçiq: Është e rëndësishme të kryhet hetim pas sanksioneve amerikane kundër Vulinit

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se “është jashtëzakonisht e rëndësishme të kryhet një hetim” ndaj drejtorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Aleksandar Vulin, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione kundër tij.

“Unë nuk e vura re që kokaina u gjet në zyrën e Vulinit, por në Shtëpinë e Bardhë. Por mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të kryhet një hetim”, tha Vuçiq, në reagimin e tij të parë pasi SHBA vendosi sanksione ndaj Vulinit.

Një ditë më parë Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit tha se Vulini është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Vuçiq nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse Vulini duhet të shkarkohet pas vendosjes së sanksioneve amerikane.

Ai tha se për sanksionet ndaj Vulinit dhe qëndrimin e Serbisë do të flasë “nesër, në detaje”.

“Vulin, ndaj tij nuk janë vendosur sanksione për ndonjë krim, korrupsion, asgjë; ndaj tij janë vendosur sanksione për shkak të qëndrimit të tij ndaj Federatës Ruse”, tha Vuçiq.

Një pjesë e opozitës në Serbi kërkoi shkarkimin e Vulin pas sanksioneve amerikane.

Vulin, presidenti i Partisë Socialiste, e cila është një partner koalicioni i Partisë Progresive Serbe në pushtet, u vendos në krye të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit në dhjetor të vitit 2022.

Drejtorin e Agjencisë e emëron dhe e shkarkon Qeveria.

Ish-bashkëpunëtor i Mirjana Markoviqit, gruas së Slobodan Milosheviqit, ai është sot partner koalicioni i Partisë Progresive Serbe në pushtet.

Më 10 maj, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë, ku shpreh shqetësimin për emërimin e Vulin në krye të BIA-s, i cili në tekstin e rezolutës përshkruhet si një person “i njohur për retorikën e tij kundër BE-së dhe pro-Kremlinit”.

Vulin është i njohur për publikun e gjerë, për retorikën e tij të ashpër ndaj fqinjëve të tij në rajon dhe miqësinë e tij ndaj Rusisë.

Në një nga kritikat e fundit kundër tij, ambasadat e Ukrainës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, si dhe BE-ja, kritikuan pjesëmarrjen e Vulinit në konferencën ndërkombëtare të sigurisë në Moskë, në maj të këtij viti.

Erdogan takohet me Bidenin: Po fillon një proces i ri i marrëdhënieve mes dyja vendeve

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë takimit me homologun amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se po “fillon një proces i ri” mes dy vendeve.

Presidenti turk u takua me presidentin amerikan në margjinat e samitit të NATO-s në kryeqytetin lituanez Vilnius.

Erdogan tha se takimet e mëparshme me Biden ishin “seanca nxehje”, duke shtuar se “tani po fillojmë një proces të ri”.

Lideri turk po ashtu tha se beson se është koha për konsultime në nivel të krerëve të shteteve me SHBA-në si pjesë e mekanizmit strategjik, raporton skynews.
“Këtë takim e konsideroj si hapin e parë drejt kësaj”, shtoi ai.

Presidenti Biden, nga ana e tij, e falënderoi presidentin turk për lidershipin dhe kryerjen e diplomacisë në procesin e anëtarësimit të Suedisë në NATO, duke theksuar se mezi pret të takohet sërish me të.

Pranimi i Suedisë në NATO pas Finlandës është një nga pikat kryesore të agjendës së samitit, raporton aa.

Dje, pas një takimi trepalësh me Erdoganin dhe kryeministrin suedez, Ulf Kristersson, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi se shteti turk ka rënë dakord të dërgojë në parlamentin e saj për ratifikim protokollin e pranimit të Suedisë në aleancë.

Takimi me dyer të mbyllura u zhvillua në Qendrën e Ekspozitave dhe Kongreseve Lituaneze (LITEXPO), ku dhe mbahet takimi dyditor i NATO-s që filloi sot më herët.

Më herët, presidenti Erdogan u takua me homologun francez, Emmanuel Macron, kryeministrin britanik, Rishi Sunak, kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, kryeministren italiane, Giorgia Meloni dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz.bw

Shkarkohet ministri serb që kërkoi vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë

Ministri i shkarkuar serb, Radeta Basta.

Asambleja serbe ka votuar për shkarkimin e ministrit të Ekonomisë, Radeta Basta, gjatë seancës të mbajtur më 11 korrik.

Si ministër në Qeverinë serbe, Basta ka avokuar për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, duke deklaruar se Serbia po paguan çmim të lartë duke mos vendosur sanksione ndaj Moskës.

Serbia është një nga shtetet e pakta në Evropë që ende nuk ka sanksionuar Rusinë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Në fund të qershorit, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, i propozoi Parlamentit që të shkarkojë ministrin.

Basta u zgjodh ministër i Ekonomisë si pjesëtar i koalicionit të Partisë Socialiste të Serbisë, lideri i të cilës është ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq. Në këtë koalicion bën pjesë edhe partia Serbia e Bashkuar.

Më 20 qershor, Basta njoftoi se kishte regjistruar lëvizjen Rruga Evropiane (PEP) dhe tha se shumë shpejt kjo lëvizje do të shndërrohet në parti dhe do të garojë në zgjedhjet në të gjitha nivelet.

Po të njëjtën ditë, lideri i Serbisë së Bashkuar, Dragan Markoviq Palma tha se Bastës i është dhënë një afat që të japë dorëheqje nga të gjitha pozitat partiake. Ai tha se kërkesa për shkarkimin e Bastës po ashtu është dërguar në Qeveri.rel

Shtetet e Bashkuara sanksionojnë politikanin serb Aleksandar Vulin

VOA

Shtetet e Bashkuara shpallën të martën sanksione ndaj politikanit serb Aleksandar Vulin, i cili drejton Agjencinë serbe të Zbulimit, për përfshirje në aktivitete korruptive dhe destabilizuese, që dëmtojnë sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se përcaktimi i Aleksandar Vulinit “nënvizon vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të mbajtur përgjegjës ata që janë të përfshirë në marrëveshje korruptive dhe që çojnë përpara agjendat e tyre politike dhe interesat personale në kurriz të paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor.

“Veprimet e sotme mbajnë përgjegjës Aleksandar Vulinin për veprimet e tij korruptive dhe destabilizuese që po ashtu kanë lehtësuar veprimtaritë keqdashëse të Rusisë në rajon”, tha nënsekretari i Thesarit Brian E.Nelson, duke nënvizuar se Departamenti i Thesari “nuk do të ngurrojë të përcaktojë që abuzojnë me pozitat e tyre për përfitime personale duke dëmtuar qeverisjen efektive dhe demokratike në Ballkanin Perëndimor”,

Në një njoftim të këtij departamenti thuhet e Aleksandar Vulin ka qenë i përfshirë në krimin e organizuar transnacional, operacione të paligjshme të narkotikëve dhe keqpërdorim të detyrës publike. Ai ka mbajtur një marrëdhënie të dobishme të ndërsjellë me tregtarin serb të armëve Slobodan Teshic, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, duke ndihmuar në sigurimin që dërgesat e paligjshme të armëve të Teshiçit mund të lëvizin lirshëm nëpër kufijtë e Serbisë.

Veprimet e Vulinit kanë çuar përpara korrupsionin brenda institucioneve qeverisëse të Serbisë. Këto veprime përfshijnë shfrytëzimin e autoritetit të tij për përfitime personale dhe përfshirjen në një rrjet të trafikut të drogës.

Ai, thuhet në njoftim, ka përdorur postet e tij publike për të mbështetur Rusinë, duke lehtësuar veprimtaritë keqdashëse të Rusisë që dëmtojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor dhe duke i ofruar Rusisë një platformë për të çuar më tej ndikimin e saj në rajon.

Aleksandar Vulin, një politikan pro rus ka shërbyer si ministër i Brendshëm i Serbisë në qeverinë e mëparshme dhe mbante postin e ministrit të Mbrojtjes më herët. Asnjë nga këto institucione qeveritare serbe nuk është objektiv i sanksioneve të sotme amerikane.

Schmidt kërkon ndjekjen e mohuesve të gjenocidit në Srebrenicë

Zyra e përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë u ka bërë thirrje zyrtarëve që të vazhdojnë të ndjekin penalisht përgjegjësit për mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës, teksa shteti shënon 28-vjetorin e vrasjes së mbi 8.000 burrave dhe djemve myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës në Srebrenicë.

Përmes një mesazhi drejtuar politikanëve në Republika Sërpska – entitetit serb – përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt, tha se zyra e tij është e gatshme të përdorë të gjitha mjetet për të ndihmuar Bosnjën që të ngrehë padi kundër mohuesve të gjenocidit.

“Është e qartë që ne duhet të kemi hapa vendimtarë nga Prokuroria”, tha Schmidt gjatë homazheve në Potoçari, ku gjenden varrezat e viktimave të gjenocidit.

“Ata që e mohojnë gjenocidin, kudo që jetojnë apo gjenden, po kryejnë vepër penale sepse me ndryshimet në ligj, të bëra dy vjet më parë nga paraardhësi im, Valentin Izko, thuhet se mohimi i gjenocidit është vepër penale. Mos harroni se ky ligj vlen në mbarë Bosnje e Hercegovinën”, paralajmëroi ai.

Vrasjet në Srebrenicë ishin vetëm një episod i luftës në Bosnje më 1992-1995 që la të vrarë afër 100.000 persona. Ngjarjet në Srebrenicë janë njohur si gjenocid nga dy gjykata të Kombeve të Bashkuara.

Zyrtarët e Serbisë dhe zyrtarët serbë në Bosnje – përfshirë edhe liderin aktual të Republikës Sërpska, Millorad Dodik – refuzojnë që ta pranojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

Gjatë ceremonisë së 11 korrikut u varrosën mbetjet mortore të 30 viktimave. Mbetjet e tyre u gjetën në varreza masive në lindje të Bosnjës.

Vuçiçi përdori fjalën demilitarizim për Kosovën, siç bëri Putini për Ukrainën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, po kërkon një qasje të ngjashme ndaj Kosovës si Rusia ndaj Ukrainës.

Gjatë fjalës së tij më 6 korrik, ai theksoi synimin e tij për të përdorur konceptin e demilitarizimit për Kosovën, paralelisht me një qasje të ngjashme që presidenti rus, Vladimir Putin, ka zbatuar në Ukrainë.

Duke iu drejtuar publikut për situatën në Kosovë, Vuçiq kërkoi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të kërkuar “demilitarizimin e të gjitha formacioneve të armatosura shqiptare”, transmeton The Geopost.

“Në atë seancë do të kërkojmë që Këshilli i Sigurimit i OKB-së t’i kërkojë KFOR-it të veprojë sipas rezolutës 1244 dhe të kryejë demilitarizimin e të gjitha formacioneve shqiptare në përputhje me të njëjtën rezolutë. Unë personalisht do të marr pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë presidenti serb.

Kjo deklaratë e Vuçiqit tregon një dëshirë për një qasje të ngjashme me atë të përdorur nga Putini në Ukrainë, ku Rusia justifikoi masat e saj të demilitarizimit me arsyetimin e mbrojtjes së popullatës ruse.

Analisti Jakub Bielamowicz: Ndërsa Moska po ndihmon hapur Milorad Dodik, Escobar po valvit flamurin e bardhë!

Jakub Bielamowicz  @KubaBielamowicz Analist i Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor nga Instituti i Evropës së Re @IEuropy shkruan në Twitter:

Ndërsa Rusia po ndihmon haptazi përpjekjet shkëputëse të @MiloradDodik, duke bërë thirrje për një sesion të posaçëm të KS të OKB-së për BiH-në,

i dërguari i @StateDept për Ballkanin Perëndimor Escobar po valëvit flamurin e bardhë,
duke thënë se nuk do të ketë: (i) dislokim të NATO-s në Brçko, (ii) Largimi i Dodikut nga detyra. E habitshme.”

Ekspertja amerikane e sigurisë Ivana Stradner: Dje është zbuluar një listë me 15 mijë llogari të rreme serbe

Ekspertja amerikane e sigurisë Ivana Stradner shkruan në Twitter:

Nëse jeni duke ndjekur operacionet e informacionit në Ballkan, kjo është vërtet interesante:

Lista me gati 15000 llogari të rreme serbe u zbulua dje.

Pjesa më interesante është se lista përmban edhe emra të vërtetë dhe informacione për çdo llogari të rreme.

Tani, serbët po i emërtojnë dhe i turpërojnë publikisht (është një mënyrë interesante për të disiplinuar trollët).

Dua të theksoj se këto llogari janë të lidhura me partinë SNS të Vuçiqit… ato janë të plogëta dhe lehtësisht të zbulueshme dhe shërbejnë për qëllime të brendshme.

Ka llogari të tjera të rreme të lidhura me qeverinë serbe dhe ruse që promovojnë ekskluzivisht për 🇷🇺 narrativa ruse dhe shkruajnë në gjuhë të tjera për audiencën e huaj… ata janë më të sofistikuar dhe përpjekjet e tyre janë të koordinuara pasi 🇷🇺 Rusia po kryen gjithashtu operacione informacioni nga Serbia për perëndimin.

Asnjëherë mos e nënvlerësoni bashkëpunimin Serbo 🇷🇸 & Rus 🇷🇺  në luftën informative.

Lufta konvencionale e Serbisë mund të jetë e dobët, por departamenti i saj për operacione psikologjike ka një histori të gjatë për të qenë efektive dhe Rusia e di këtë.

Lajçak takohet me Vuçiqin në Beograd

Emisari evropian, Mirosllav Lajçak, gjatë takimit në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. 5 korrik 2023.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është takuar në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës.

Vuçiq tha përmes një postimi në Instagram se me emisarin evropian ka biseduar për situatën në Kosovë, për mënyrat se si të ulen tensionet në terren dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja.

“I kam bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të angazhohet në mënyrë më konkrete për të gjitha këto çështje”, tha Vuçiq.

Lajçak po qëndron në Beograd një ditë pasi vizitoi Prishtinën ku u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.

Pas takimit me Kurtin, Lajçak deklaroi se ka mirëkuptim për të çuar përpara kërkesat e BE-së, por se “ende duhet të vazhdojmë diskutimet për hapa konkretë”.

Kërkesat e BE-së për Kosovën dhe Serbinë

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, më 22 qershor ka paraqitur kërkesat e bllokut evropian për Kosovën dhe Serbinë, lidhur me shtensionimin e situatës në veri:

  • Kosovës i kërkohet që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët komunalë përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative
  • Serbisë i kërkohet të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës
  • Të dyja shteteve u kërkohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme lokale, sa më shpejt që të jetë e mundur, në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në to

Në të kaluarën, Beogradi ka luajtur rol kyç në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e organizuara në Kosovë

Për shkak të mospërmbushjes së tri kërkesave të parashtruara, BE-ja që nga fundi i qershorit ka nisur të zbatojë disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Lajçak nuk ka dashur të komentojë masat ndëshkuese që blloku evropian i ka vendosur ndaj Kosovës, por bëri të ditur se BE-ja i ka gati sanksionet edhe për Serbinë.

“BE-ja e ka bërë të qartë se i ka sanksionet gati për Serbinë dhe ato do të zbatohen nëse vendet anëtare vendosin që Serbia nuk i bindet BE-së. Ky është vendim i shteteve anëtare”, tha Lajçak.

Që nga fundi i majit, serbët po protestojnë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, duke kundërshtuar që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Banorët lokalë serbë po ashtu po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave.

Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht po kërkon nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe në veri të mbahen zgjedhje të reja lokale.

Greqia e gatshme për të zgjidhur çështjen e kufijve detarë me Turqinë

 

Greqia është gati të nisë bisedimet me Turqinë për të zgjidhur një mosmarrëveshje të gjatë mbi kufijtë detarë që i ka sjellë në mënyrë të përsëritur dy fqinjët në prag të konfliktit të armatosur, tha të martën ministri i Jashtëm i sapoemëruar i Greqisë.

Giorgos Gerapetritis tha se qeveria greke dëshiron të “përfitojë nga klima e vazhdueshme pozitive” në mënyrë që të arrijë një marrëveshje për përcaktimin e zonave në të cilat secili vend ka të drejta ekskluzive ekonomike, duke përfshirë të drejtën për të kërkuar naftë dhe gaz në det të hapur.

Turqia kundërshton zonat për të cilat Greqia thotë se janë brenda zonës së saj ekonomike dhe ku ajo po kërkon të fillojë një kërkim për rezervat e naftës dhe gazit në det të hapur.

Turqia pretendon pjesën më të madhe të zonës ekonomike të Qipros , ku janë zbuluar disa depozita të konsiderueshme të gazit natyror në det.

Mosmarrëveshja mbi të drejtat e eksplorimit në det të hapur kishte arritur kulmin në një bllokim detar tre vjet më parë.

Një çështje e rëndësishme që shkakton tensione midis Greqisë dhe Turqisë, të cilën Gerapetritis synon ta trajtojë, është përcaktimi i kufijve të brigjeve të cekta kontinentale. Kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me shtrirjen e ishujve grekë. Këta ishuj ndodhen pranë vijës bregdetare të Turqisë në Egje dhe në Mesdheun lindor.

“Gjithçka që mbetet është të përcaktohet nëse Turqia gjithashtu dëshiron sinqerisht të krijojë një rrugë afrimi”, tha Gerapetritis pas bisedimeve me homologun e tij të Qipros, Konstantinos Kombos.

Gerapetritis tha se në krye të këtyre përparësive është një marrëveshje për të ribashkuar Qipron e ndarë etnikisht si një federatë e përbërë nga sektorë greqisht dhe turqishtfolës në përputhje me rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

Në vitin 1974, Qiproja u nda pasi Turqia e pushtoi në përgjigje të një grushti shteti të udhëhequr nga individë që mbështetën idenë e bashkimit me Greqinë. Aktualisht, Turqia dhe turqit e Qipros që u shkëputën, këmbëngulin se çdo marrëveshje paqeje duhet së pari të njohë sovranitetin e veçantë të turqve të Qipros.

Pas tërmeteve shkatërruese në Turqinë jugore në muajin shkurt, zyrtarët grekë dhe turq janë angazhuar në një sërë takimesh të rëndësishme.

Ata janë zotuar të lënë mënjanë mosmarrëveshjet që kanë çuar në tensione të përsëritura.

Pak përpara rizgjedhjes së tij muajin e kaluar, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, gjatë një interviste me Associated Press, shprehu gatishmërinë e tij për t’i zgjatur një “dorë miqësie” Turqisë. REL

Vuçiçi i quan të pafajshëm serbët që përdorën dhunë kundër KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pret një “ofensivë të re” nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke pretenduar se kjo “ofensivë” do të përkojë me ofensivën e forcave ukrainase në luftën kundër Rusisë.

Në një intervistë të dhënë për TV Prva, Vuçiq përsëriti pretendimet se aleatët perëndimorë nuk shqetësohen për të drejtat e serbëve në Kosovë.

Ai tha se të drejtat e tyre po shkelen, se ata “i janë ekspozuar terrorit” dhe se pjesëtarët e komunitetit serb që janë arrestuar në javët e fundit në Kosovë janë të pafajshëm.

Deklarata vjen në kohën e tensioneve të rritura në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe. Që nga 29 maji, serbët atje protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë të komunave dhe kërkojnë tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës.

Autoritetet e Kosovës i kanë arrestuar disa pjesëtarë të komunitetit serb, që dyshohet se kanë marrë pjesë në dhunën kundër pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve që raportojnë nga veriu.

Të arrestuarit janë identifikuar si: Dushan Obrenoviq, Radosh Petroviq, Milun Millenkoviq-Lune, Dalibor Spasiq, Urosh Vukashinoviq, Nemanja Vlashkoviq, Millan Bozhoviq dhe Slladan Trajkoviq. Të gjithë janë në paraburgim, përveq Petroviqit i cili po mbrohet në liri.

Serbia dhe pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë i konsiderojnë këto arrestime si arbitrare.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbisë që t’i ulin urgjentisht tensionet dhe që Prishtina t’i organizojë zgjedhjet e reja. Së fundi, BE-ja ka bërë të ditur edhe për masa ndëshkuese të përkohshme të vendosura ndaj Kosovës.

Ndërkohë, Vuçiq ka përsëritur se Serbia nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë për luftën në Ukrainë dhe ka deklaruar se nuk ia kanë dërguar “as edhe një armë të vetme” as Rusisë e as Ukrainës.

Schmidt anulon ligjet anti-Dayton të Republikës Sërpska

Përfaqësuesi i Lartë i Komunitetit Ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, anuloi ligjet anti-Dayton të miratuara nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Sërpska, lidhur me mospublikimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Schmidt gjithashtu mori një vendim për ndryshimin e Kodit Penal të Bosnje dhe Hercegovinës në mënyrë që veprimet që cenojnë rendin kushtetues të trajtohen si vepër penale.

“Kuvendet e entiteteve nuk kanë autoritet të shmangin dispozitat e Bosnje dhe Hercegovinës dhe nuk kanë të drejtë të shmangin juridiksionin e institucioneve kyçe të Dejtonit”, tha Schmidt duke shpjeguar vendimet më 1 korrik.

“Ky është një sulm ndaj Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës dhe një përpjekje për ta kërcënuar ligjin dhe kuadrin kushtetues të vendit dhe elementet kyçe të Dejtonit, siç janë vendimet e përfaqësuesit të lartë”, shtoi ai.

Ambasada e SHBA-së në Bosnje dhe Hercegovinë përkrahi vendimet e Schmidt dhe paralajmëroi se “do të ketë pasoja” për veprimet e Asamblesë Kombëtare të entitetit të Republikës Sërpska.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin multietnik të Bosnjë-Hercegovinës dhe do të vazhdojnë të mbajnë përgjegjës për veprimet e tyre individët e përfshirë në sjellje anti-Dayton”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Vendimet e përfaqësuesit të lartë pasuan pasi Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Srpska votoi për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Sipas ligjit, i cili u miratua nga Asambleja Kombëtare më 27 korrik, vendimet e Gjykatës Kushtetuese shtetërore nuk do të zbatohen dhe ekzekutohen në territorin e RS-së derisa Asambleja Parlamentare e Bosnje dhe Hercegovinës të miratojë Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.

Presidenti i entitetit të RS, Millorad Dodik, i cili ka kritikuar prej kohësh Gjykatën Kushtetuese se ka gjyqtarë të huaj, nisi votimin pasi gjykata vendosi javën e kaluar të ndryshojë rregullat në mënyrë që të mund të zhvillonte seanca dhe të merrte vendime pa gjyqtarë serbë.

Asambleja e RS më parë miratoi gjithashtu ndryshime ligjore që nënkuptojnë se vendimet e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje e Hercegovinë nuk do të publikohen më në gazetën zyrtare, gjë që është një kusht në RS që një ligj të hyjë në fuqi ose një vendim të bëhet e vlefshme.

Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, e nënshkruar zyrtarisht më 14 dhjetor 1995, i dha fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Aneksi 10 i asaj marrëveshjeje i cakton përfaqësuesit të lartë, pra OHR-së, “detyrën e monitorimit të zbatimit të marrëveshjes”.

Schmidt tha se ligji për përfaqësuesin e lartë nuk do të hyjë në fuqi dhe se të gjitha procedurat lidhur me këtë janë kryer.

“Vendosa gjithashtu që ligji i SKSP-së për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës në territorin e RS-së nuk do të hyjë në fuqi”, theksoi Schmidt dhe shtoi se ata që tentojnë të rrëzojnë rendin kushtetues duhet të ndiqen penalisht.

Ai gjithashtu theksoi se ligji për Gjykatën Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës mund të ndryshohet, por vetëm ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Bosnje dhe Hercegovinës.

“Ata do t’i bartin pasojat për veprimet e tyre – të gjitha opsionet janë në tavolinë. Shpresoj që aktorët politikë do të vijnë në vete dhe ata do të… Kam takuar shumë politikanë të përgjegjshëm që punojnë në mënyrë intensive për të siguruar që ky vend të arrijë një përparim, të ndërmarrë hapa konkretë”, tha Schmidt.

Ai shtoi se pasojat më të mëdha të sjelljes së papërgjegjshme të disa politikanëve i bartin qytetarët e Republikës Sërpska.

“Unë i respektoj ata, si të gjithë qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës dhe ata nuk duhet të kenë një jetë të dominuar nga idetë e individëve”, tha Schmidt. rel

Biserko: Kurti nuk është problemi kryesor në dialogun me Prishtinën, por Beogradi

“Albin Kurti nuk është problemi kryesor në dialogun me Prishtinën, por Beogradi”. Kështu deklaroi Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, për Qendrën Mediale të Beogradit.

Ajo tha se Beogradi beson se Kurti po i provokon, dhe për mendimin e saj, ky nuk është provokim, por ai thjesht u përpoq të zbatojë disa gjëra për të cilat tashmë është rënë dakord.

“Kjo do të thotë se Beogradi i ka shpalosur qëllimet e tij deri në fund, pasi nuk ka fare qëllim të hyjë në atë dialog dhe ende qëndron në qëndrimin e ndarjes së Kosovës”, tha Biserko, duke shtuar se “kjo duket qartë nga të gjitha reagimet dhe sjelljet e fundit të Beogradit”.

Sipas saj, kjo vërehet nga ngritja e ushtrisë në një nivel më të lartë të gatishmërisë, e për më tepër, ky lloj tensioni krijohet gjatë gjithë kohës.

“Pasi Serbia është ushtarakisht superiore në raport me Kosovën”. Megjithatë, Biserko rikujtoi se nëse kalojnë kufirin, NATO-ja i pret atje, e jo Kurti.

Sipas Biserkos, problemi me Asociacionin është se nuk mund të jetë hapi i parë, sepse Kosova nuk ka garanci se do të ndodhë hapi i dytë, pra njohja e Kosovës nga Serbia.

“Nuk ka asnjë dëshmi se Beogradi dëshiron seriozisht të zbatojë dispozitat e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, dhe ne kemi dëgjuar gjithashtu nga presidenti se ai nuk e njeh këtë dhe se ai nuk ka nënshkruar asgjë, edhe menjëherë pas Ohrit, ai i vuri në dyshim të gjitha ato detyrime”, thekson Biserko.

Ajo rikujton se serbët tashmë kishin dhjetë vende të garantuara në Parlament dhe ishin në institucione dhe se problemi kryesor është se Vuçiq i tërhoqi nga ato institucione dhe ua pengoi pjesëmarrjen në zgjedhje, kurse tani kërkojnë zgjedhje të reja.

“Zgjedhjet do të ndodhin pashmangshmërisht së shpejti, pyetja e vetme është nëse Beogradi do të jetë mjaft racional për të lejuar serbët të marrin pjesë në ato zgjedhje”.

Biserko u shpreh se serbët në Kosovës janë pengjet më të mëdha, sepse politika e udhëhequr nga Beogradi është e drejtuar kundër interesave të tyre, kundër integrimit të tyre në atë shoqëri dhe më së shumti varet nga Beogradi se si do të sillen në të ardhmen.

“Sepse për fat të keq nuk e kanë lirinë e zgjedhjes”, tha ajo.

Biserko theksoi se shpreson që bashkësia ndërkombëtare në Kosovë do të ndërhyjë më shumë për të parandaluar konfliktin, “duke pasur parasysh se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, është folur për hapjen e një fushbeteje të dytë në Ballkan dhe se kthimi i sigurisë në këto zona ishte i motivuar me atë mundësi dhe që ata të vazhdojnë të ndjekin me përkushtim ngjarjet në Bosnje dhe Kosovë”. syri.net

Raportohet se Hungaria do të shtyjë ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO

Parlamenti i Hungarisë nuk do të ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO para pushimit të verës, pasi kjo çështje nuk është përfshirë në agjendën e javës së ardhshme, raportuan mediat hungareze.

Portalet hvg.hu dhe index.hu raportuan se Parlamenti, ku shumicë është partia Fidesz e kryeministrit Viktor Orban, do të shtyjë edhe më tej votimin duke u thirrur në përkeqësimin e raporteve me Suedinë.

Zyra për media e Parlamentit hungarez nuk ka konfirmuar këto raportime, por ka thënë se agjenda për seancën e javës së ardhshme do të finalizohet të enjten.

Ligjvënësja opozitare e majtë, Agnes Vadai, shkroi në Facebook se Orban nuk do ta hedhë në votim pranimin e Suedisë në NATO në seancën e javës së ardhshme.

Ministria e Jashtme suedeze nuk i është përgjigjur kërkesës së Reuters për të komentuar për këtë çështje.

Suedia dhe Finlanda hoqën dorë nga politika shumëvjeçare e mosangazhimit ushtarak pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar. Të dyja shtetet kërkuan siguri më të madhe duke shprehur dëshirën që t’i bashkohen NATO-s. Finlanda u bë anëtare e aleancës në prill, por procesi për Suedinë ka qenë më i ngadalshëm.

Suedia po kërkon që t’i bashkohet aleancës gjatë samitit të 11 dhe 12 korrikut. Përderisa Stokholmi ka mbështetje nga shtetet e tjera anëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Turqia dhe Hungaria deri tani nuk kanë ratifikuar pranimin e Suedisë në NATO.

Me procesin e ratifikimit të bllokuar në Parlamentin hungarez që nga korriku i vitit të kaluar, Orban në shkurt për herë të parë shprehu shqetësimet lidhur me anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.

Ai ka akuzuar të dyja shtetet se po “përhapin gënjeshtra” lidhur me demokracinë dhe sundimin e ligjit në Hungari, edhe pse ligjvënësit hungarezë në fund të marsit ratifikuan pranimin e Finlandës në aleancë.REL

Gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve dhe thirrje për dorëheqjen e Vuçiqit

Beograd, 28 qershor 2023.

 

Radio Evropa e Lirë

 

Partitë e djathta opozitare në Serbi u mblodhën mbrëmjen e 28 qershorit në Beograd, në shenjë mbështetjeje për serbët nga Kosova.

Në mesin e tyre u dëgjuan fyerje dhe gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve.

Tubimin e organizoi “Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë”, me mbështetjen e partive të djathta, përfshirë edhe partitë opozitare parlamentare: Dveri dhe Zavetnici.

Në tubim u dëgjuan këngë nacionaliste për Kosovën dhe u shpalos pankarta: “Stop terrorit ndaj serbëve në Kosovë e Metohi”.

Të tubuarit valëvitën flamuj të Serbisë dhe slogane “s’ka dorëzim”, në të cilat figuronte edhe harta e Kosovës.

Ata kërkuan mbështetjen e Rusisë për politikën e Serbisë ndaj Kosovës.

Në mesin e kërkesave të tyre u dëgjua edhe lirimi i serbëve të arrestuar në veri të Kosovës, të cilët Policia e Kosovës i ka identifikuar si organizatorë të incidenteve në atë zonë, gjatë muajit të kaluar.

Autoriteteve të Serbisë iu kërkua t’i ndërpresin negociatat me Kosovën dhe t’i anulojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Pankarta “Stop terrorit ndaj serbëve në Kosovë e Metohi”. Protestuesit nuk sollën ndonjë provë që do t'i mbështeste pretendimet për terror.

Pankarta “Stop terrorit ndaj serbëve në Kosovë e Metohi”. Protestuesit nuk sollën ndonjë provë që do t’i mbështeste pretendimet për terror.

Kritika ndaj Vuçiqit

Derisa folësit në protestë u drejtuan me fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve, ata kritikuan edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Qeveria në Serbi u quajt “tradhtare”, ndërsa Marrëveshja e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u kritikua ashpër.

Me këtë marrëveshje, thanë protestuesit, “Qeveria e Serbisë ka dorëzuar krahinën jugore“.

Beograd, 28 qershor 2023.

Beograd, 28 qershor 2023.

Protesta u zhvillua në kohën e tensioneve të larta në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – dhe të presionit diplomatik mbi Prishtinën dhe Beogradin për ta qetësuar situatën.

Ajo është përkeqësuar qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje kanë hyrë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Komuniteti serb në veri i ka bojkotuar zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave kanë dalë kryetarët shqiptarë të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Protestat që vazhdojnë, kanë kulmuar edhe në dhunë midis demonstruesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.

Ka pasur, po ashtu, raporte për sulme me granata dore dhe mjete të tjera.

Policia e Kosovës ka arrestuar disa serbë nën dyshimet se kanë organizuar dhunë.

Komuniteti ndërkombëtar kërkon nga Kosova që ta shtensionojë situatën – mes tjerash, duke organizuar zgjedhje të reja në veri. Nga Serbia, ndërkaq, kërkon të sigurojë pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet eventuale.

Vuçiq bisedon me Blinkenin për tensionet në veri të Kosovës

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka insistuar në qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe ka mbështetur planin evropian për shtensionim, u tha pas një bisede telefonike që kryediplomati amerikan zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Siç tha Vuçiq përmes një postimi në Instagram, gjatë bisedës me Blinkenin, ai ka kërkuar lirimin e serbëve të arrestuar në veri të Kosovës.

“I thash [sekretarit Blinken] se Serbia sillet seriozisht dhe në mënyrë të përgjegjshme, por njësitë speciale të Policisë së Kosovës po arrestojnë çdo ditë pjesëtarët e komunitetit serb në mënyrë krejtësisht arbitrare dhe kërkova lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar”, tha Vuçiq.

Siç raportohet, Vuçiq gjatë bisedës me Blinkenin ka theksuar se dorëheqja e katër kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat në veri të Kosovës dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale “janë të një rëndësie kyçe për të ulur tensionet”.

Kjo bisedë telefonike mes Vuçiqit dhe Blinkenit vjen në mes të përpjekjeve diplomatike nga komuniteti ndërkombëtar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë – të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, komuna të banuara me shumicë serbe – hynë në ndërtesat komunale me asistimin e policisë.

Që atëherë, serbët kanë mbajtur protesta.

Kryetarët e rinj u zgjodhën më 23 prill, zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Ditëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar disa pjesëtarë të komunitetit serb, nën dyshimet se kanë marrë pjesë në dhunën ndaj ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe ndaj gazetarëve që po raportonin nga veriu.

Zyrtarët në Serbi dhe përfaqësuesit e Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovës, që gëzon mbështetjen e Beogradit – i konsiderojnë arbitrare këto arrestime.

Komuniteti ndërkombëtar po i kërkon Kosovës që të shtensionojë situatën dhe i ka paraqitur tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Ndërkaq, nga Beogradi zyrtar po kërkohet që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale. rel

Avokati nga Beogradi: Në veri të Kosovës janë 11 laboratorë droge, paratë e tyre kanë financuar barrikadat e serbëve

Avokati nga Beogradi, Ivan Niniq ka treguar se në veri të Kosovës gjenden 11 laborator të narkotikëve për prodhimin e marihuanës.

Niniq në mediet serbe është shprehur se paratë e këtyre laboratorëve mund të janë përdorur për të financuar aktivitetet politike dhe barrikadat në veri të Kosovës.

“Inspektori, puna e të cilit ishte ta zbulonte këtë, u ndoq nga kjo prokurori. De jo vetëm ai, por dhe disa njerëz të tjerë. Pra, a kemi ne prodhimin e marihuanës në nivel shtetëror? I financojnë disa njerëz aktivitetet e tyre, disa barrikada, aktivitetet e tyre politike duke prodhuar marihuanë?”, është shprehur Niniq.

Ai shton se vlera e njërit prej laboratorëve arrin deri në 40 milionë euro.

“Inspektori Milan Djukiq, i cili ka punuar në Policinë e Kosovës, inspektor hetues i drogës, i cili me policinë ka zbuluar 11 laboratorë të marihuanës në veri të Kosovës gjatë dy viteve të fundit”, theksoi ai.

“Një laborator, vlera e pajisjeve në njërin prej tyre, nëse nuk gaboj në Leshak, është nga 30 deri 40 milionë euro. Imagjinoni se ka 11 laboratorë të marihuanës në një territor ku jetojnë 25 mijë banorë në veri të Kosovës. Pra, projekt i kujt është, produkt i kujt është, kush qëndron pas tij?”, shtoi Niniq.

Në fund, avokati serb pyet, se pse janë gjithë këta laboratorë të marihuanës në veri të Kosovës./Telegrafi/

Greqi, Demokracia e Re fiton bindshëm zgjedhjet

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Partia konservatore greke Demokracia e Re ka fituar bindshëm një mandat tjetër katërvjeçar në zgjedhjet e mbajtura të dielën, tregojnë rezultatet zyrtare.

Sipas të dhënave zyrtare pas numërimit të 90 për qind të kutive të votimit, Demokracia e Re e ish-kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka fituar më shumë se 40 për qind të votave, ndërsa partia kryesore opozitare e majtë, Syriza, ka pësuar rënie të mbështetjes, duke marrë 18 për qind të votave, më pak se sa rezultati që kishte arritur në zgjedhjet e muajit maj.

Vetë zoti Mitsotakis tha pas fitores së se populli grek i dha atij një mandat për të çuar përpara reformat e nevojshme. Partia e tij ka siguruar një shumicë prej 157 deputetësh në parlamentin me 300 vende.

Duke folur pas hodhi votën në Athinë, udhëheqësi i Syrizas Alexis Tripras dukej se e kishte pranuar që partia e tij do të mbetej në opozitë edhe për 4 vjet, edhe pse procesi i votimit vazhdonte akoma.

“Këto zgjedhje nuk do të përcaktojnë vetëm kush do e qeverisë vendin, por do të përcaktojnë jetët tona për katër vitet e ardhshme dhe cilësinë e demokracisë. Do të përcaktojnë nëse do të kemi një qeveri që nuk i kërkohet llogari, apo një opozitë të fortë. Këtë rol mund ta luajë vetëm Syriza”, tha ai.

Zgjedhjet e së dielës u zhvilluan nën hijen e fundosjes së një anijeje emigrantësh me 14 qershor në jug të Greqisë, në të cilën qindra njerëz dyshohet se kanë humbur jetën. Një nga fatkeqësitë më të rënda ndër vite, ka nxjerrë në pah ndarjet e thella politike mbi migracionin.

Partia Demokracia e Re e zotit Mitsotakis fitoi zgjedhjet e 21 majit përballë partisë së majtë Syriza që qeverisi Greqinë nga viti 2015 deri në vitin 2019. Por ajo nuk mori votat e duhura për të qeverisur e vetme.

Vuçiqi kërkon asosacion “në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara”

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se përshkallëzimi i situatës në Kosovë nuk e ka arritur pikun dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dëshiron luftë.

“Ai dëshiron të ndodhë gjithçka që unë dua të shmang. Ne nuk e kemi arritur pikun e përshkallëzimit të krizës në Kosovë, siç mendojnë disa, mirëpo Kurti dëshiron luftë. Ai lutet për diçka të tillë”, ka thënë presidenti serb për Televizionin Pink në Beograd.

Ai ka thënë se Kurti nuk do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndonëse duhet të formohet “në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Sipas Vuçiqit, Forca e Sigurisë së Kosovës është “më shumë e pajisur” me armë serioze turke.

Ai ka thënë se Kosova është duke ndërtuar një ushtri, e cila nuk i lejohet me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Turqit u kanë dhënë atyre armë shumë të fuqishme anti-tank, mortaja, obusë”.

Ai ka thënë se për këtë arsye Serbia ka hequr dorë nga blerja e dronëve nga Turqia, mirëpo që një numër i madh i dronëve kamikazë do të arrijnë shpejt në Serbi nga shtetet tjera, përfshirë Kinën.

I pyetur për qasjen e Shteteve të Bashkuara kundrejt Serbisë, Vuçiq ka thënë se “amerikanët nuk e kanë qasjen e njëjtë ndaj Serbisë, sikurse në vitet 90’”, por qasja është “shumë më e mirë”.

“Ata vetëm se e kanë qasjen e njëjtë ndaj Kosovës”, ka thënë Vuçiq, dhe ka shtuar se duhet pasur shumë kujdes “çfarë do të thonë Perëndimi dhe Lindja”.

Vuçiq ka thënë të dielën se duhet të takohet me serbët nga veriu i Kosovës, ku tensionet janë rritur prej fundit të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Popullata serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet e prillit në veri, e ka kundërshtuar hyrjen e kryetarëve nëpër ndërtesa komunale, dhe ka mbajtur protesta para objekteve

Perëndimi ka kërkuar vazhdimisht nga Kosova dhe Serbia që t’i ulin tensionet dhe të kthehen në tavolinën e negocimit për të avancuar drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar. REL

Në anijen e fundosur në Greqi ishin të paktën 350 pakistanezë

Të mbijetuarit arrijnë pas një operacioni shpëtimi në portin e qytetit Kalamata në Greqi, 14 qershor 2023.

 

Ministri i Brendshëm i Pakistanit, Rana Sanaulah Khan, më 23 qershor, tha se rreth 350 pakistanezë ishin në bordin e anijes për peshkim, e stërmbushur me emigrantë, e cila u fundos në Greqi, më 14 qershor.

Ministri Khan tha se shumë prej tyre janë të zhdukur dhe mund të kenë vdekur në një nga incidentet më vdekjeprurëse në Detin Mesdhe.

Khan u tha deputetëve në Parlament se rreth 700 emigrantë ishin në anije, kur ajo u fundos më 14 qershor.

Vetëm 104 persona, përfshirë 12 pakistanezë, u shpëtuan dhe 82 trupa u nxorën.

Khan theksoi drojën se shumë nga pakistanezët e zhdukur kanë vdekur.

“Deri më tani, 281 familje kanë kontaktuar me qeverinë duke thënë se djemtë ose të dashurit e tyre mund të kenë qenë në mesin e atyre që ishin në anije”, tha ai.

Aktualisht, zyrtarët po mbledhin mostra të ADN-së nga njerëzit që thonë se anëtarët e familjes së tyre ishin në anije, për të ndihmuar në identifikimin e trupave.

Gjithashtu, Qeveria nisi aksionin kundër trafikantëve të qenieve njerëzore që organizuan udhëtimin për pakistanezët, me një anije peshkimi, shumë prej të cilëve kërkonin punë në Evropë.

Policia deri më tani ka arrestuar së paku 17 të dyshuar në lidhje me këtë rast.

Zyrtarët thonë se viktimat u paguanin kontrabandistëve nga 5,000 deri në 8,000 dollarë për udhëtimin.

Shumë nga pakistanezët e zhdukur janë nga provinca lindore më e populluar e Punjabit dhe qytetet e largëta në Kashmir, nga rajoni i kontestuar në Himalaje, i ndarë midis Pakistanit dhe Indisë.

Pakistani po përjeton një nga krizat e tij më të rënda ekonomike, me inflacion deri në 45 për qind në muajt e fundit, ndërkaq shumë të rinj kanë rrezikuar rrugën e tyre drejt Evropës, për të gjetur punë më të mira. REL

Kryeministri i Kroacisë viziton Serbinë

Kryeministri kroat Andrej Pllenkoviq ka arritur në Serbi, më 23 qershor.

Në Mitrovicë të Sremit ai është takuar me peshkopin e Sremit, Fabijan Svalin.

Pllenkoviq, nga Mitrovica e Sremit do të shkojë në Suboticë, ku do të takohet me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Pllenkoviq dhe Bërnabiq, me delegacionet e tyre, do të marrin pjesë në hapjen e Shtëpisë Kroate – Amëza (Matica) në Suboticë.

Në takimin e kryeministrave të Kroacisë dhe Serbisë do të marrin pjesë ministri serb për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Tomisllav Zhigmanov dhe ministrja për Integrime Evropiane, Tanja Mishçeviq, njoftuan nga Qeveria në Beograd.

Kjo është vizita e parë e Pllenkoviqit në Serbi që kur u bë kryeministër në vitin 2016.

Marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Zagrebit i rëndojnë çështjet e pazgjidhura edhe 30 vjet pas luftës në ish-Jugosllavi.

Të dy vendet kanë kontest lidhur me përcaktimin e kufirit në Danub dhe nuk e kanë zgjidhur çështjen e sukcesionit – trashëgimisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (SFRJ).

Ndër çështjet e hapura janë ndjekja penale e krimeve të luftës dhe gjetja e mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kroaci, gjatë viteve 1991-1995.

Më 30 prill, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, vizitoi Zagrebin, ku së bashku me Pllenkoviqin, mori pjesë në Kuvendin e madh të Këshillit Kombëtar Serb, organizatë ombrellë e pakicës serbe në Kroaci.

Asokohe, ata theksuan rëndësinë e respektimit të të drejtave dhe përmirësimit të pozitës së minoritetit serb në Kroaci dhe minoritetit kroat në Serbi, si dhe paralajmëruan krijimin e një katalogu të çështjeve të hapura ndërmjet dy vendeve, me qëllim vazhdimin e zgjidhjes së tyre.

Në shkurt të këtij viti, kryeministri Pllenkoviq dhe presidenti serb Alleksandar Vuçiq u takuan në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku thanë se dëshironin marrëdhënie më të mira.

Vuçiq nuk ka qenë në vizitë zyrtare në Zagreb që nga viti 2018, kur u prit në kryeqytetin kroat nga presidentja e atëhershme Kolinda Grabar Kitarovq.

Dy vjet më herët, në vitin 2016, të dy ata nënshkruan Deklaratën për normalizimin e marrëdhënieve, në Suboticë.

Megjithatë, “normalizimi” nuk ndodhi dhe zyrtarët shkëmbyen fjalë të ashpra me njëri-tjetrin.

Gjatë vitit 2022, Vuçiq donte të bënte një vizitë “private” në Jasenovc, kompleks memorial kushtuar viktimave të krimeve ustashe nga Lufta e Dytë Botërore. Por, autoritetet në Zagreb nuk e lejuan atë, duke thënë se bëhej fjalë për vizitë të paparalajmëruar dhe në kundërshtim me protokollin.

Kjo u pasua me shkëmbim të notave diplomatike mes dy vendeve.

Kryeministri kroat Andrej Pllenkoviq mori pjesë në kremtimin e Krishtlindjeve ortodokse në janar të vitit 2023 në Zagreb, me zëvendëskryeministrin serb Ivica Daçiq.

Britania i kërkon sërish Serbisë lirimin e tre policëve të rrëmbyer të Kosovës

Ambasadori britanik Neil Holland, shef i misionit të OSBE-së në Serbi, ka thënë se Beogradi zyrtar duhet t’i lirojë menjëherë tre policët e Kosovës të rrëmbyer më 14 qershor nga ana e forcave speciale serbe në brendësi të territorit të Republikës së Kosovës.

Në raportin e tij për muajin qershor, Holland thotë po ashtu se dy vendet, Kosova dhe Serbia, duhet të ulin tensionet menjëherë.

‘Britania e Madhe është shumë e vetëdijshme për rritjen e fundit të tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Mbretëria e Bashkuar bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të ndaluar më 14 qershor. Qeveritë e Serbisë dhe Kosovës duhet të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të ndërmarrin hapa drejt de-përshkallëzimit menjëherë’, ka thënë Holland në raportin e tij, raporton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se Britania e Madhe i ka përsëritur thirrjet ndaj Qeverisë së Kosovës që të sigurojë që kryetarët e zgjedhur të komunave t’i kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative dhe që njësitë e Policisë Speciale të tërhiqen nga afërsia e ndërtesave komunale.

Po ashtu, ai deklaroi se Britania e Madhe kërkon që ‘zgjedhjet e reja, gjithëpërfshirëse duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur – në të cilat presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës të marrin pjesë’.

‘Ne presim që Kosova dhe Serbia të riangazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, dhe në veçanti të fillojnë punën pa vonesa të mëtejshme për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe’, potencoi ambasadori britanik, Neil Holland. syri.net

Qindra të zhdukur ndërsa Greqisë i kërkohet të hetojë mbytjen e anijes me emigrantë

VOA/Henry Ridgwell

Greqia është nën presion në rritje për të filluar një hetim lidhur me fundosjen më 13 qershor të një anije me rreth 750 emigrantë. Të paktën 82 njerëz vdiqën dhe qindra të tjerë rezultojnë të zhdukur, përfshirë gra dhe fëmijë. Shumica e migrantëve ishin nga Egjipti, Siria dhe Pakistani.

Qindra protestues marshuan në portin e Pireut të dielën drejt selisë së rojes bregdetare greke dhe agjencisë kufitare të Bashkimit Evropian Frontex – duke mbajtur pankarta ku shkruhej fjala “vrasës”.

Mbytja e anijes me migrantë është aksidenti më i madh në vite ndërsa aludohet se autoritet nuk bënë sa duhet për të dhënë ndihmën e tyre.

Anija u nis nga Libia me rreth 750 persona në bord. Pamjet e marra nga një avion i agjencisë Frontex mëngjesin e 13 qershorit e tregojnë anijen pranë brigjeve greke.

Roja bregdetare greke tha fillimisht se anija ishte në një kurs drejt Italisë dhe nuk ndërhyri. Pastaj tha se u përpoq ta ndihmonte anijen e emigrantëve duke e lidhur me litar – por pretendon se emigrantët e zgjidhën atë.

Pamjet e marra po më 13 qershor nga një anije që shkoi më vonë për të ndihmuar migrantët, tregojnë ekuipazhin që u ofroi atyre ujë dhe ushqim. Anija e emigrantëve duket se po rindizte motorrët.

Anija u mbyt atë natë vonë në ujërat greke. Shumë të mbijetuar thanë se anijes i ishte fikur motori disa orë para se të fundosej.

Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për hetime. Grupet e të drejtave të njeriut e kanë përkrahur kërkesën, duke thënë se dëshmitë e të mbijetuarve bien ndesh me variantin e ofruar nga roja bregdetare.

“Të mbijetuarit thonë se anija e tyre ishte lidhur me litar nga roja bregdetare dhe se shkaku i incidentit ishte litari, pasi anija mori kthesën e gabuar dhe u fundos. Është vërtet thelbësore që të bëhet një hetim i duhur, i pavarur dhe efektiv. Pamjet nga ajri tregojnë një anije në gjendje të keqe. Pra, organet janë të detyruara të ndërhyjnë, kjo është detyra e tyre. Ka një dështim dhe vonesë”, thotë për Zërin e Amerikës Kondylia Gogou me organizatën Amnesty International.

Greqia vazhdon të këmbëngulë se migrantët nuk kërkuan ndihmë dhe nuk ishin në rrezik deri në fundosjen e anijes.

Policia greke ka arrestuar nëntë të dyshuar, të gjithë shtetas egjiptianë, të cilët besohet se ishin në anije. Kritikët fajësojnë gjithashtu politikën evropiane për migracionin.

“Për sa kohë që BE-ja nuk ka politika të mjaftueshme për rrugë të sigurta dhe ligjore, këto lloj udhëtimesh të rrezikshme do të vazhdojnë”, thotë Kondylia Gogou me organizatën Amnesty International.

Të mbijetuarit u dërguan në një kamp migrantësh. Mes pikëllimit, herë pas here ka pasur edhe momente gëzimi, ndërsa të mbijetuarit u ribashkuan me njerëzit e tyre. Qindra njerëz që figurojnë të zhdukur, mendohet se kanë vdekur. Të dashurit e tyre kërkojnë të vërtetën dhe drejtësi.

Beograd: Qytetarët në panik, në aeroport dhe disa spitale jepet alarmi për bomba

Raportimet për bomba kanë mbërritur në adresat e disa institucioneve në Beograd, mëson Euronews Serbia.

Në fjalë janë Fakulteti Juridik dhe Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike (ETF) në Beograd, pastaj KBC Zvezdara dhe Akademia Mjekësore Ushtarake (VMA), si dhe Aeroporti Nikola Tesla.

Kontrollet policore janë në vazhdim.

Por ende nuk dihen detaje në lidhje me ngjarjen. syri.net

Tragjedia me qindra emigrantë të vdekur në Greqi, BBC ngre dyshime mbi Rojën Bregdetare greke

Për mbytjen e anijes së emigrantëve në Greqi të mërkurën e kaluar, BBC ka marrë prova që hedhin dyshime ndaj rojës bregdetare greke. Analiza e lëvizjes së anijeve të tjera në zonë sugjeron se anija e mbipopulluar e peshkimit nuk lëvizi për të paktën shtatë orë përpara se të përmbysej.

Roja bregdetare thotë se anija ishte rrugës për në Itali dhe nuk kishte nevojë për shpëtim. Të paktën 79 persona raportohen të vdekur aktualisht, por Kombet e Bashkuara thonë se të paktën 500 janë të zhdukur.

OKB-ja ka bërë thirrje për një hetim mbi trajtimin e katastrofës nga ana e Greqisë. Zyrtarët grekë pretendojnë se njerëzit në bord kanë raportuar se nuk donin ndihmë dhe se nuk ishin në rrezik deri pak para se varka e tyre të fundosej.

Pakistani shpall zi kombëtare
Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif shpalli të hënën si “ditë zie” për tragjedinë. Rreth 300 pakistanezë dyshohet se kanë vdekur në mbytjen e anijes, megjithëse numri i saktë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Sharif formoi gjithashtu një komision për të hetuar incidentin dhe urdhëroi policinë të gjurmonte personat e përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore. Shumica e emigrantëve të zhdukur do të ishin nga shteti Azad Kashmir (të paktën 50) dhe ai i Gujarat (47 persona), sipas anëtarëve të familjeve të tyre pakistaneze.bw

Ambasadori gjerman në Kosovë Jörn Rohde: Brutaliteti i kësaj skene është tronditës!

 

Ka reaguar Ambasadori gjerman në Kosovë Jörn Rohde pas dhunës ndaj gazetarëve:

“Brutaliteti i kësaj skene është tronditës. Ku duhet të përfundojë kjo? Shumë e kanë dënuar këtë akt të papranueshëm dhune, por fatkeqësisht deri më tani nuk shoh asnjë reagim nga përfaqësuesit e Listës Serbe mes tyre. Pse? Të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre për të de-përshkallëzuar situatën.

Vuçiq nuk do të marrë pjesë në takimin me Kurtin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 18 qershor se nuk do të marrë pjesë në takimin me kryeministri e Kosovës, Albin Kurti, që është thirrur nga Brukseli.

“Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd.

Vuçiq saktësoi se do të vendosë nëse, siç tha ai, “teknikisht të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.

“Por, të flasim me Kurtin, jo”, shtoi ai.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, ka ftuar Kurtin dhe Vuçiqin në një takim që është thënë se do të mbahet javën e ardshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ende nuk ka vendosur nëse do të shkojë në takimin e Brukselit. Ai të shtunën, më 17 qershor, deklaroi për mediat në Prishtinë, se ekipi i tij do t’i përgjigjet ftesës së Borrellit në fillim të javës së ardhshme.

Vuçiq tha po ashtu se takimi me kryeministrin e Kosovës ishte kushtëzuar me përmbushjen e kërkesave të Serbisë: tërheqjen e kryetarëve shqiptarë nga komuna e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës dhe lirimin e serbëve të arrestuar.

Vuçiq u shpreh se Serbia u përpoq, siç tha, që në çdo mënyrë të ruajë paqen dhe progresin.

“Sidoqoftë, sado që ne u përpoqëm që të jemi një partner serioz i fuqive perëndimore, ne jemi në rrugën evropiane, ua them sinqerisht, ata kurrë nuk na kanë parë ne në atë mënyrë. Nëse ne nuk do të respektonim çdo kërkesë, do të ishim fajtorë, edhe pse nuk jemi fajtorë”, shtoi ai.

Presidenti serb tha se shteti i tij do të mbetet në rrugën evropiane derisa ai ta udhëheqë Serbinë. Megjithatë, ai vlerësoi se gjatë kësaj periudhe, Serbia nuk do të bëhet anëtare e BE-së.

Ftesa nga Brukseli për takimin mes dy liderëve erdhi pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës. Tensionet në këtë pjesë, që banohet me shumicë serbe, nisën më 26 maj kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të tri komunave që të hyjnë në objektet komunale, përkundër kundërshtimit të serbëve lokalë.

Kryetarët e rinj të katër komunave në veri u zgjodhën më 23 prill, në zgjedhjet që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.

Vuçiq kërkon ekzaminim nga EULEX-i për rastin e policëve

Lideri serb po ashtu tha se Beogradi ka kërkuar një ekzaminim poligrafik nga misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) për rastin e tre policëve të arrestuar të Kosovës. Vuçiq saktësoi se pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, që kanë bërë arrestimin, janë të gatshëm për një ekzaminim të tillë, në mënyrë që të saktësohet vendi se ku u arrestuan policët e Kosovës.

Serbia thotë se tre policët e Kosovës u arrestuan “thellë” brenda territorit serb, por Kosova thotë se ata u rrëmbyen më 14 qershor në territorin e Kosovës.

Megjithatë, Vuçiq tha se EULEX-i “nuk është i interesuar” për kërkesën e Beogradit.

Më 16 qershor, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se “bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”.

“Ne nuk jemi në luftë që të shkëmbejmë të burgosur. Nëse dikush është fajtor, kjo do të vendoset nga autoritetet tona”, tha Vuçiq në Beograd.

Presidenti i Serbisë njoftoi se serbët në Kosovë do të marrin “vendime aktive” në periudhën e ardhshme, pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.

Ai tha se në Vidovdan, festë ortodokse që shënohet më 28 qershor, serbët “do të hedhin paqësisht hapat e tyre në rrugën drejt lirisë”.

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe shtete të tjera perëndimore kanë kërkuar që Beogradi të lirojë menjëherë policët e Kosovës.

Ndaj tre policëve të Kosovës, një gjykatë në Kralevë ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Departamenti amerikan i Shtetit më 17 qershor i bërë thirrje Serbisë që të lirojë menjëherë policët e Kosovës, që sipas Uashingtonit, po mbahen në paraburgim nën akuza të pabaza.

Qytetarët ‘zbarkojnë’ në sheshet e Beogradit me thirrje kundër Vuçiçit, paralajmërohet radikalizimi i protestave

Në Beograd më 17 qershor është mbajtur protesta e shtatë me moton “Serbia kundër dhunës”. Gjatë tubimit në kryeqytetin serb u paralajmërua se protestat do të radikalizohen nga java e ardhshme nëse kërkesat e protestuesve nuk plotësohen. Pasi organizatorët mbajtën fjalime, protestuesit filluan të marshonin përgjatë një autostrade, në të cilën u mbyll trafiku deri në orën 21:00. Protesta po ashtu janë mbajtur në Novi Sad, Nish dhe Kragujevc.

Protestat nisën pas dy vrasjeve masive që tronditën Serbinë në fillim të majit. Protestuesit po kërkojnë shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit, por edhe të anëtarëve të Rregullatorit të Mediave Elektronike dhe udhëheqjen e Shërbimit Publik të Serbisë. Protestuesit po ashtu po kërkojnë mbylljen e tabloideve që përhapin dhunë dhe marrjen e frekuencave kombëtare për televizionet që promovojnë dhunë përmes programeve të tyre. Smiljan Banjaç, gazetar në një radio, që mori pjesë në protestën në Beograd, tha se qytetarët në mënyrë naive besuan “se një tragjedi e tmerrshme do të na këndellë”, por në vend të kësaj ata vetëm u ofenduan.

“Nëse kërkesat nuk plotësohen, në protestën e radhës do të marrim veprime më konkrete”, tha ai. Ai tha se herën tjetër, përveç Beogradit, Nishit dhe Novi Sadit, edhe dhjetë qytete të tjera do të bllokohen. “Ose dhuna do të ndalet, ose Serbia do të ndalet”, theksoi ai. Pavle Cicvariç, student në Universitetin e Beogradit, tha se gjeneratat e mëparshme në vitet ’90 kishin rrëzuar regjimin që kishte promovuar dhunë. “Ata patën sukses, dhe tani na përket ne që ta rrëzojmë regjimin e njëjtë. Studentët më nuk do të qëndrojnë të heshtur dhe do të veprojnë ndaj çdo padrejtësie që do të bëhet”, tha ai.

Këto protesta në Serbi kanë nisur para një muaji dhe ato po thirren nga grupet parlamentare në opozitë, sikurse Partia Popullore, Partia Demokratike dhe koalicioni i Të gjelbërve të majtë. Megjithatë, partitë opozitare kanë thënë se protestat nuk janë politike. Ndërkaq, me kërkesën e 61 deputetëve në Parlamentin e Serbisë ka nisur diskutimi për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Bratisllava Gashiç. Në seancën e mbajtur më 15 qershor mori pjesë edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, e cila tha se “absolutisht” nuk do të propozojë shkarkimin e Gashiçit. Sipas saj, ai po kryen punën me përgjegjësi dhe seriozitet. Debati parlamentar për këtë çështje do të vazhdojë më 21 qershor. Qeveria serbe ka akuzuar opozitën se po “politizon tragjedinë”.bw

Gjykata e Serbisë urdhëron paraburgimin e tre policëve të Kosovës

VOA

Një gjykatë në Serbi urdhëroi të premten mbajtjen në paraburgim dhe hetimin e tre policëve të Kosovës që u arrestuan më 14 qershor në një incident që rriti tensionet midis dy vendeve.

“Sipas propozimit të prokurorit publik, gjyqtari i procedurës të Gjykatës së Lartë në Kralevë, urdhëroi ndalimin e të gjithë të dyshuarve”, thuhet në një deklaratë të zyrës së Prokurorisë Publike në Kralevë, një qytet në jugperëndim të Serbisë.

Prokuroria akuzon tre policët për “prodhim, posedim, mbajtje dhe trafik të paautorizuar të armëve dhe lëndëve shpërthyese”, thuhet në deklaratë.

Ende nuk është bërë e ditur kohëzgjatja e paraburgimit.

Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duke e akuzuar Serbinë për “cenim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore” të Kosovës.

Beogradi thotë se policët janë kapur brenda territorit të Serbisë.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tyre.

Në Kralevë po zhvillohet seanca gjyqësore ndaj tre policëve të rrëmbyer të Kosovës

Tre policët e rrëmbyer para dy ditëve në brendësi të Kosovës janë në Kralevë, ku momentalisht po zhvillohet seanca gjyqësore ndaj tyre.

Kështu ka bërë të ditur avokati serb, Çedomir Stojkovic.

Në këtë seancë gjyqësore, gjyqtari në Kralevë do të vendosë nëse tre policët do të mbesin në paraburgim ose do të lirohen.

E tëra duhet të qartësohet deri në 12:30 kur përfundon afati 48 orë.bw

 

Në kohë tensionesh dhe agresioni ndaj Kosovës, Serbia i fton rezervistët në stërvitje ushtarake

Ministria serbe e Mbrojtjes ka publikuar një orar për ftesën e qytetarëve të Serbisë të cilët janë rekrut nga forca rezervë për të shpallur orarin dhe stërvitjet ushtarake në territorin e Drejtorisë për Obligime të Mbrojtjes. Detyrimet për të shërbyer në forcën rezervë kanë rekrutët që kanë kryer shërbimin ushtarak, të cilët e kanë rregulluar detyrimin për shërbimin ushtarak në një mënyrë tjetër, si dhe rekrutët gra që mbahen në evidencë.

Rekrutët në rezervë mbahen në evidencë si oficerë rezervë, nënoficerë rezervë dhe ushtarë rezervë.

Detyrimet e meshkujve në përbërjen rezervë zgjasin deri në fund të vitit kalendarik në të cilin mbushin 60 vjeç, ndërsa për femrat deri në fund të vitit kalendarik në të cilin mbushin 50 vjeç.

Qendra e Ministrisë së Mbrojtjes për Vetëqeverisje Lokale në Beogradin e Ri, Novi Sad, Suboticë, Kikinda, Panlevo, Zrenjanin, Sombor, Shabac, Pozharevac, Smederevë, Kraljevë, Novi Pazar, Mitrovica e Sremit, Nish, Prokuplje, Krushaçkov dhe Zajec po zhvillon stërvitje ushtarake shumëditore deri më 19 qershor, MM Qendra për Vetëqeverisje Lokale Valjevë dhe Shabac deri nesër, MM Qendra për Vetëqeverisje Lokale Suboticë, Sombor, Zajeçar, Krushevc dhe Bor deri më 23 qershor, Qendra e MM-së për Vetëqeverisje Lokale Nish deri më 26 qershor, ndërsa Qendra e MM për vetëqeverisjen lokale të Pançevës përfundon sot.

Vetëm rezervistët që i përkasin qendrave të MM për Vetëqeverisje Lokale në Novi Sad, Zrenjanin, Kikinda dhe Pançevë janë ende në pritje të stërvitjes ushtarake njëditore më 24 qershor.

Mbetet të shpallet orari për qendrat e MM-së për vetëqeverisje lokale Vozhdovac dhe Valjevë sot, nesër dhe 19 qershor, Qendra e MM-së për vetëqeverisje lokale Vozhdovac më 20 qershor dhe Qendra e MM-së për vetëqeverisje lokale Çukarica më 22 qershor..

Siç thuhet në faqen e internetit të Ministrisë serbe të Mbrojtjes, vendosja në përbërje rezervë kryhet në komandat e luftës, njësitë dhe institucionet e Ushtrisë Serbe, njësitë ushtarake dhe institucionet ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punëve të Brendshme, njësitë dhe organet e mbrojtjes civile, organet, njësitë dhe shërbimet e vëzhgimit, informimit dhe alarmimit dhe autoritetet shtetërore, shoqëritë tregtare, personat e tjerë juridikë dhe sipërmarrësit që prodhojnë sende, pra ofrojnë shërbime me rëndësi të veçantë për mbrojtjen e vendit.

Këto stërvitje vijnë në kohën kur Serbia po kryen agresion të hapur ndaj Kosovës në pjesën veriore dhe kidnapimit të tre policëve kosovare brenda territorit tonë. syri.net

Natasha Kandiç bën thirrje për lirimin e efektivëve, kujton rastin e vëllezërve Bytyqi që u vranë nga Serbia

Natasha Kandiç, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, iu është bashkuar reagimeve pas marrjes peng të së tre policëve të Kosovës nga Serbia.

Në një reagim në Twitter, Kandiç ka shkruar se Serbia duhet t’i kthejë policët kosovarë në Kosovë. Tutje, ajo ka përmendur edhe tre vëllezërit Bytyqi, ish-ushtarë të UÇK-së, të cilët u morën peng teksa kalonin përmes Serbisë dhe më pas u vranë nga Policia e Serbisë, pas përfundimit të luftës në Kosovë.

“MUP t’i kthejë policët kosovarë në Kosovë, me besimin se nuk e dinin se kishin kaluar kufirin dhe në shenjë kujtimi të fatit të vëllezërve Bytyqi, të cilët kaluan kufirin duke ndihmuar romët për të kaluar në Serbi dhe kurrë më nuk u panë të gjallë.” – ka shkruar Kandiç në Twitter. syri.net

Mediat e Beogradit mburren me rrëmbimin e 3 policëve të Kosovës: Tentuan të pushtonin territorin e Serbisë, policia jonë i arrestoi

Mediat serbe kanë reaguar lidhur me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe “Kobra”.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, mediat në një artikull të publikuar së fundmi mburren teksa shkruajnë se policia serbe ka arrestuar tre persona, të cilët i konsiderojnë terroristë të Kurtit.

Tre zyrtarët kufitarë patrullues, në momentin që janë rrëmbyer kanë qenë në territorin e Republikës së Kosovës, në zonën kufitare në veri të vendit.

“Novosti” më tej shkruan: ‘Tre personat janë arrestuar me armë automatike dhe me pajisje ushtarake. Veprimi i shpejtë dhe efikas i policisë serbe parandaloi me sukses tentativën e policisë së Kosovës të pushtojnë territorin e Serbisë qendrore për të kryer një aksion i cili sipas të gjitha parametrave është akt terrorist me qëllim të destabilizimit dhe përshkallëzimit të konfliktit të drejtuar kundër Republikës së Serbisë. Policia do të vazhdojë punën e mëtutjeshme në bashkëpunim me prokurorinë kompetente.bw

‘Një turp për njerëzimin’: Mediat e rajonit komentojnë pjesëmarrjen e Vuçiqit në dasmën e djalit të Sheshelit

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç mori pjesë në dasmën e djalit të Vojislav Sheshelj, një kriminel lufte i dënuar dhe ish-“bos” i Vuçiçit.

Kjo ngjalli një reagim në rajon dhe u raportua edhe nga mediat e ish-republikave jugosllave.

Indeksi i Zagrebit raportoi në një postim në Twitter të avokatit dhe kryetarit të Shoqatës Oktobar, Cedomir Stojkovic, i cili tha se “është një turp për njerëzimin që Presidenti i Serbisë po dehet me kriminelin Sheshelj” dhe se ata po dehen festoi me një këngë që lavdëronte kryekomandantin çetnik.

“Që turpi i njerëzimit @presidentrs dehet bashkë me kriminelin Vojisllav Sheshelj është një çështje e thjeshtë për të cilën kam kohë që flas me të huajt, duke vënë në dukje barazinë e plotë të të dyve. Se ai dehet me të duke dëgjuar një këngë që lavdëron Pavle Gjurishiqin, një çetnik, trupat e të cilit kryen krime gjatë Luftës së Dytë Botërore, më pas u bashkuan personalisht me trupat e NDH-së dhe më në fund u bashkua me nazistët në Operacionin Weiss në vitin 1943 për të sulmuar popullsinë tonë, është një gjë tjetër që kushdo që dëshironte mund ta dinte. Fakti që kënga ka melodinë primitive të njësive ushtarake që kryen gjenocidin në Srebrenicë është një gjë e tretë.

Por fakti që presidenti i Serbisë mban verën si birrë dhe tund kokën sikur të ishte raki duke e pirë është një turp i veçantë, që dëshmon se ky turp i njerëzimit nuk ka arritur të fitojë ASNJË sjellje në 11 vjet në pushtet, edhe nëse rastësisht e ka marrë nga të huajt të cilët i takon kundër dëshirës së tyre”, ka shkruar Stojkovic, cituar nga Index.

Vuçiq në dasmë, së pari te Sheshelj me këngë që lavdërojnë vojvodën çetnike”, shkruan portali Klix i Sarajevës.

“Një nga të ftuarit në dasmën e djalit të kriminelit të dënuar të luftës Vojisllav Sheshelj ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç”, citon Klix të ketë thënë Stojkoviq, duke shtuar “një gjë” nga postimi i Stojkoviqit në Twitter, të cilin ai “e veçoi si të turpshme”.

“Por fakti që presidenti i Serbisë e mban verën sikur të ishte birrë dhe tund kokën sikur të ishte raki teksa e pi, është veçanërisht i turpshëm, duke dëshmuar për faktin se ky turp i njerëzimit nuk ka arritur të fitojë asnjë sjellje në 11 vjet në pushtet, edhe nëse i ka rastisur të marrë nga të huajt që i takon kundër dëshirës së tyre. E trishtueshme”.

“Në videon nga dasma, Vuçiç shihet i ulur pranë Sheshelit në tavolinë. Në njërën nga pamjet Vuçiq dhe Sheshelj janë bashkë, ndërsa në sfond dëgjohet një këngë që lavdëron vojvodin çetnik Pavle Gjurishiq”, shkruan Oslobođenje, duke cituar Çedomir Stojkoviq.

“Një pjesë e publikut serb e dënoi këtë akt, duke përfshirë edhe avokatin nga Beogradi Çedomir Stojkoviq. Ai tha se ishte një turp për njerëzimin që Vuçiq po dehej me një kriminel lufte,” shkruan Oslobođenje e Sarajevës.

Slobodna Bosna, nga ana tjetër, shkruan për “turpin e njerëzimit” dhe citon fjalët e avokatit Stojkoviq. syri.net


Send this to a friend