VOAL

VOAL

TIFOZËT SERBË – THERINI, VRITINI SHQIPTARËT

Vazhdojnë fyerjet dhe thirrjet raciste të tifozëve serbë gjatë veprimtarive të ndryshme sportive. Në ndeshjen e kampionatit serb, Çukariçki-Crvena Zvezda, tifozët e këtyre të fundit, të quajtur “Delije”, kanë kënduar këngë fyese kundër shqiptarëve.

“Therini, therini, shqiptarët, vritini, vritini shqiptarët”, – ishin thirrjet e tifogrupit famëkeq serb sipas shtypit kosovar transmeton Shqip.

Thirrjet nuk ndaluan thuajse për një kohë të gjatë dhe gjyqtari, ashtu siç e parashikon rregullorja e UEFA-s në raste të tilla nuk e ndërpreu lojën.

Ndeshja është luajtur ditën e djeshme dhe situata e fundit në Maqedoni ka ndikuar edhe më shumë për të shtuar tensionin mes shqiptarëve dhe serbëve.

HOMOLOGU BULLGAR E KËSHILLON GRUEVSKIN TË JAPË DORËHEQJE

VOAL – SOFJE – Kryeministri bullgar Boyko Borisov e këshillon kolegun e vet maqedonas Nikolla Gruevski që të japë dorëheqje, në mënyrë që të pushojnë protestat dhe përçarjet në vend, shkruan gazeta bullgare “24 Çasa”.

“Unë kam dhënë shembull se si e bën këtë një kryeministër nëse nuk e ka besimin për ndonjë arsye. Pastaj populli do ta kthejë besimin”, ka deklaruar Borisovi, transmeton kp, i cili në mandatin e vet të parë dha dorëheqje pas protestave për shkak të çmimeve të larta të gazit.

Ai ka shfaqur shpresën se situata në Maqedoni do të vihet nën kontroll dhe se shteti do të rregullohet.

“Maqedonia është një vend shumë i rëndësishëm për ne dhe shërbimet në çdo moment më informojnë se si po zhvillohet situata”, ka thënë mbrëmë Borisovi, duke vlerësuar se viktimat që ranë në Kumanovë janë pasojë e përçarjeve dhe problemeve në Maqedoni.

ZËRI I AMERIKËS – SERBIA DO TA HEQË KOSOVËN NGA KUSHTETUTA E SAJ?

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka paralajmëruar një ndryshim të mundshëm të qasjes ndaj Kosovës, që është kushti themelor në përpjekjet e Beogradit për integrimin në Bashkimin Evropian.

Ai ka thënë të përditshmes “The Wall Street Journal”, se është “duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit 2017, ku do të mund të përfshihej heqja e përkufizimit të Kosovës si pjesë e Serbisë”. Aktualisht Kosova zë vend në preambulën e kushtetutës serbe.

“Ne duhet të jemi shumë të sinqertë me popullin tonë për mundësitë e ndryshme. Dhe populli i Serbisë duhet ta thotë fjalën e fundit”, citohet të ketë thënë ai, ndërsa i ka cilësuar “shaka” propozimet e qeverisë së Kosovës që përfaqësuesve të komunitetit serb t’u ofrojë “pushtet sipërfaqësor”.

Serbia përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian pas marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën e cila shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008.

Ndonëse nuk e kanë vënë si kusht njohjen e pavarësisë së Kosovës, diplomatët evropian kanë përsëritur qëndrimin se hapja e kapitujve të negociatave për anëtarësim duhet të pasojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, presidenti serb Tomislav Nikoliç, tha të premten se “kushti kryesor për anëtarësimin në Bashkimin Evropian do të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës”, ndërsa ka përsëritur se Serbia nuk do ta bëjë këtë.

“E nëse Bashkimi Evropian vazhdon të ngulë këmbë, kjo do të thotë se BE nuk dëshiron të na shohë në përbërjen e vet”, i tha ai agjencisë ruse të lajmeve Interfax.

“Por këtë kusht nuk do të pranonte asnjë popull. Këtë mund të pranojnë vetëm robërit”, citohet të ketë thënë presidenti serb i cili shkoi në Moskë për të marrë pjesë në parakalimin ushtarak të shtunën në 70 vjetorin e kapitullimit të Gjermanisë naziste, që kishte shënuar edhe fundin e Luftës së Dytë Botërore.

Vendimi për pjesëmarrjen edhe te ushtrisë serbe në parakalim është marrë nga presidenti serb, me gjithë kërkesat që i janë bërë nga përfaqësues evropian që të mos e bëjë një gjë të tillë.

Një pjesë e madhe e shefave të shteteve perëndimore përfshirë edhe aleatet e dikurshëm të Moskës gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në parakalim në shenjë proteste ndaj ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë përmes aneksimit të siujdhesës së Krimesë një vit më parë.

Serbia synon integrimin në Bashkimin Evropian dhe shpreson të fillojë negocimin e kapitujve në kuadër të bisedimeve për anëtarësim gjatë këtij viti. Por, ajo po ecë nëpër një rrugë të ngushtë ndërmjet perëndimit dhe aleatit të saj tradicional, Rusisë, që nga shpërthimi i krizës në Ukrainë.

Beogradi kishte refuzuar t’u bashkohet sanksioneve evropiane kundër Rusisë, por, në të njëjtën kohë, ndonëse pa e dënuar aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë, është shprehur në mbështetje të tërësisë tokësore të Ukrainës.

Serbia vazhdon të ruaj lidhjet emocionale e kulturore me Moskën, posaçërisht edhe për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore.

“Nuk ka kthim prapa”, citohet të ketë thënë kryeministri serb Vuçiç për përpjekjet e Serbisë drejt integrimeve evropiane.

“Kam edhe unë zhgënjimet e mia personale dhe politike kundruall Bashkimit Evropian, por  detyra ime është të kujdesem mbi çështjet e rëndësishme strategjike të këtij shteti”, ka thënë ai, duke shtuar se këtë mesazh ka jo vetëm për Washingtonin e Brukselin, por edhe për Moskën.

VUÇIÇ PARALAJMËRON NDRYSHIME KUSHTETUESE


Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë për të përditshmen The Wall Street Journal, se është “duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit 2017, në të cilat do të mund të përfshihej heqja e përcaktimit të Kosovës si pjesë e Serbisë”.

“Duhet të jemi shumë të sinqertë me popullin tonë për opsionet e ndryshme. Dhe populli i Serbisë duhet ta thotë fjalën e fundit”, ka thënë Vuçiq, gjatë një interviste për WSJ.

Në këtë intervistë, kryeministri serb i ka cilësuar “tallje” propozimet e qeverisë së Kosovës që përfaqësuesve të komunitetit serb t’u ofrojë “pushtet sipërfaqësor”.

Zoti Vuçiq ka folur edhe për integrimet evropiane, ndërsa gazeta konstaton se përparimi drejt këtij rrugëtimi ka qenë i ngadaltë.

“Nuk ka kthim prapa”, tha Vuçiq për përpjekjet e Serbisë drejt integrimeve evropiane.

“Kam edhe unë zhgënjimet e mia personale dhe politike, në raport me Bashkimin Evropian”.

“Por, detyra ime është të kujdesem mbi çështjet e rëndësishme strategjike të këtij shteti”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se këtë mesazh ka jo vetëm për Washingtonin e Brukselin, por edhe për Moskën.

(rel)


Send this to a friend