“Kosova Sot”: Ju keni qenë në Kosovë gjatë këtyre viteve pas shpalljes së pavarësisë. Çfarë vlerësimi keni për ecjen e Kosovës gjatë kësaj periudhe?
Stipe Mesiq: Edhe pse jam përpjekur që t’i përcjelli zhvillimet në Kosovë me vëmendje, mos harroni se unë jam vetëm një vëzhgues. Unë isha president në fillimin e rrugës së Kosovës kah pavarësia. Sa u përket viteve që nga atëherë, unë do të thosha se Kosova ballafaqohet me problemet e njëjta me të cilat janë ballafaquar, apo që ende ballafaqohen vendet e tjera, të quajtura në tranzicion, vendet të cilat lanë pas vetes rendin shtetëror, që quhej “socialist”.
“Kosova Sot”: Kroacia ka hyrë në BE, por Kosova e ka të largët këtë ditë. Çka mund të na ndihmojë Kroacia në këtë rrugëtim?
Stipe Mesiq: Në këtë aspekt, Kroacia duhet ta trajtojë Kosovën sikur që i trajton të gjitha vendet e tjera në regjion, të cilat ende nuk janë anëtare të BE-së. Ne duhet të ndihmojmë me anë të këmbimit të përvojës, ne duhet të ofrojmë dijen e fituar gjatë negociatave për anëtarësim dhe ne, në asnjë mënyrë nuk duhet që t’i bëjmë negociatat edhe më të vështira sesa që janë. Në rastin e Kosovës vlen e njëjta gjë që vlen edhe për të gjitha vendet e tjera që dëshirojnë të bëhen vende anëtare të BE-së: duhet të plotësohen kushtet dhe duhet të arrihen standardet evropiane. Kjo është e domosdoshme.
Korrupsioni në Kroaci nuk fillon as nuk mbaron me Sanaderin
“Kosova Sot”: Ju si shtet keni dhënë prova se mund ta luftoni korrupsionin, siç është rasti me ish-kryeministrin Ivo Sanader, por Kosova duket e pafuqishme ta ndjekë një drejtësi të tillë. Çfarë sugjerimi do të kishit për institucionet tona që nuk po arrijnë ta vendosin sundimin e ligjit?
Stipe Mesiq: Më duhet t’ju zhgënjej. Kroacia nuk është as për së afërmi aq e suksesshme në luftimin e korrupsionit, sa mund t’ju duket juve. Është e vërtetë se ish-kryeministri Sanader është në burg, ai është duke u gjykuar për akte të ndryshme kriminale, por çdokush që mendon se korrupsioni në Kroaci fillon apo mbaron me Ivo Sanaderin, thjesht është naiv. Duhet shikuar më thellë dhe përtej kësaj. Për ta arritur këtë, duhet një guxim, si dhe një vullnet politik, pa marrë parasysh se sa e vërtetë është ajo që gjyqësori duhet të jetë i pavarur. Është shumë vështirë të vendoset sundimi i ligjit në një atmosferë të interesave të caktuara grupore, ndaj të cilave nuk aplikohet ligji dhe të cilat kanë një ndikim tepër të madh në skenën politike. Kjo do të bëhet, por jo me atë shpejtësi sa do të donim ne, si këtu, po ashtu edhe atje, te ju.
“Kosova Sot”: Politikanët në Kosovë janë në shtresa më e pasur, ndërsa kush nuk është i lidhur me ta e ka të vështirë të përparojë. Si mund të ndryshojë ky mentalitet?
Stipe Mesiq: Ndryshimi i botëkuptimeve është çështje e një procesi afatgjatë, i cili kërkon një funksionim perfekt të sundimit të ligjit. Kur ta kuptoni se nuk mund të vazhdoni ta bëni atë që jeni mësuar ta bëni, dhe se ju nuk do të paraqitni përjashtim dhe se do të ndëshkoheni nga ligji nëse nuk e respektoni atë, atëherë fillon të ndryshojë botëkuptimi juaj. Kjo zakonisht ndodh në gjeneratën e dytë. Unë nuk jam pesimist, por mendoj se kështu ndodh zakonisht.
Gjykata Speciale, kur vendorët nuk e kryejnë punën
“Kosova Sot”: Çmimi i mungesës së sundimit të ligjit dhe drejtësisë së cunguar, po paguhet edhe me themelimin e Gjykatës Speciale, që do të hetojë akuzat e Dik Martit drejtuar ish-drejtuesve të UÇK-së. A është e drejtë kjo Gjykatë sipas jush?
Stipe Mesiq: Në një kontekst të ndryshëm, Kroacia gjatë një kohe ishte ndihmuar shumë nga Gjykata ndërkombëtare për krime të luftës në Hagë. Nëse institucionet kombëtare nuk munden, apo nuk janë të gatshme ta kryejnë detyrën e vet, pa marrë parasysh arsyen, e këto janë gjëra që duhet të bëhen, atëherë në interesin afatgjatë të vendit është që ajo të bëhet nga një gjykatë speciale, të cilën e përmendni ju.
“Kosova Sot”: Figurat e akuzuara nga Dik Marti sot janë njerëz me pushtet në Kosovë. A mund të ketë pasoja në vend, nëse ngrihen aktakuza kundër tyre, përfshirë këtu edhe Hashim Thaçin, që është njëri prej të përfolurve?
Stipe Mesiq: Unë nuk jam mjaft i informuar rreth kësaj çështjeje, prandaj nuk jam në gjendje që të përgjigjem. I di ca gjëra nga mediat, por të cilat nuk mjaftojnë.
“Kosova Sot”: Kur jemi tek UÇK-ja, vlerat e luftës, dua një mendim tuajin për veteranët. Kosova po has në shumë parregullsi gjatë verifikimit të veteranëve të luftës. Si e keni zgjidhur ju në Kroaci këtë çështje?
Stipe Mesiq: Mendoj se në rastin tuaj ka pasur shumë neglizhencë. Qeveria aktuale është munduar ta ndreqë këtë, por ende nuk është bërë asgjë më shumë sesa publikimi i regjistrit të veteranëve. Dhe, ka pasur shumë rezistencë që të bëhet kjo. Sikur me të vërtetë të gjithë ata njerëz që janë regjistruar të ishin pjesëmarrës në luftë, atëherë lufta do të zgjaste shumë pak. Kjo është një situatë e mirënjohur nga shumë vende të tjera. Veteranët falsë paraqiten pas çdo lufte.
“Kosova Sot”: Ne kemi pasur misione ndërkombëtare si UNMIK-u dhe EULEX-i, por rezultatet nuk janë shumë impresive. Si e keni parë ju rolin e këtyre misioneve?
Stipe Mesiq: Sipas mendimit tim, e unë flas në bazë të përvojës së Kroacisë, ato misione duhet ta njohin më mirë vendin në të cilin veprojnë, duke përfshirë edhe të kaluarën e tij, si dhe mentalitetin e njerëzve me të cilët do të takohen, do të bashkëpunojnë apo me të cilët do të përfshihen në konflikt. Po e përsëris: kur nuk mund ta bësh vetë, e ne nuk kemi mundur, ashtu sikur që tregoni edhe ju, atëherë i drejtohesh ndihmës së huaj, pa marrë parasysh çfarë mund të jetë ajo.
Serbia nuk është e detyruar ta njohë Kosovën
“Kosova Sot”: Flasim për raportet me Serbinë. Çfarë vlerësimi keni për lidershipin aktual serb?
Stipe Mesiq: Unë jam i vetëdijshëm rreth të kaluarës së tyre dhe jam duke dëgjuar atë që ata e thonë tani. Ajo që ka më shumë rëndësi: unë përcjell atë që ata bëjnë dhe si e bëjnë atë. Unë do t’i vlerësoj ata vetëm në bazë të kësaj.
“Kosova Sot”: A ka shpresa që ndonjë ditë Serbia ta pranojë Kosovën?
Stipe Mesiq: Unë vazhdimisht kam thënë se Serbia nuk është e detyruar ta njohë Kosovën menjëherë. Ky është një proces dhe gjërat duhet të piqen. Ajo që ka rëndësi është vënia e marrëdhënieve normale, hapja e kufijve, në mënyrë që njerëzit dhe mallrat të lëvizin lirshëm.
“Kosova Sot”: Çfarë garancish jep në dialogim, ndërmjetësimi i BE-së? Stipe Mesiq: Unë do ta mirëprisja një angazhim më të madh. Nëse gjërat nuk lëvizin, atëherë ato kanë nevojë për një të shtyrë. “Kosova Sot”: Si i vlerësoni marrëdhëniet Kosovë-Kroaci?
Stipe Mesiq: Mendoj se mund të flasim për marrëdhënie të mira, të cilat janë duke u zhvilluar që nga koha sa ishte duke përfunduar mandati im presidencial. Por, marrëdhëniet e mira munden gjithmonë që të jenë edhe më të mira. Kjo vlen edhe për këtë rast.
“Kosova Sot”: A kanë interesa për të investuar në Kosovë bizneset kroate?
Stipe Mesiq: Me sa di unë, një interesim i tillë ekziston.
“Kosova Sot”: A ka përfituar Kroacia nga hyrja në BE?
Stipe Mesiq: Ne vetëm sa kemi filluar t’i ndiejmë beneficionet e të qenit anëtar i BE-së. Ne duhet t’i shfrytëzojmë mundësitë që i ofron një anë- tarësim i tillë, ne duhet të përgatitemi për një gjë të tillë. Unë mendoj se Kroacia është mirë e përgatitur, edhe pse në negociatat para anëtarësimit ka pasur gabime, sikur që ishte dështimi i mbrojtjes së emrave të produkteve të caktuara. Por, unë jam i sigurt se, përkundër kësaj, çdo gjë do të bjerë në vend. (KOSOVA SOT)