Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, tha të hënën se Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol thelbësor në nxitjen e autoriteteve serbe për të trajtuar shqetësimet serioze dhe të vazhdueshme për të drejtat e njeriut.
Kërkesa drejtuar nënpresidentit amerikan Joe Biden, u bë në prag të vizitës në Washington të kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që fillon të martën.
Në një letër të nënshkruar nga Hugh Williamson, drejtor i kësaj organizate për Evropën dhe Azinë, tërhiqet vëmendja në mosndëshkimin e krimeve të luftës, ndjekja e të cilave në Serbi është penguar nga mungesa e vullnetit politik, mekanizmave të dobët për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe në atë që duket të jetë mbrojtje e zyrtarëve të lartë të përfshirë në krime të rënda.
Që nga viti 2003, kur është ngritur dhoma e posaçme për krime lufte në Gjykatën e lartë të Serbisë dhe zyra e prokurorit për krime lufte, vetëm 68 persona janë dënuar për krime në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë, pothuajse të gjithë zyrtarë të rangut të ulët.
Gjykata për krime lufte në ish Jugosllavi, ka gjykuar dhe dënuar zyrtarë të lartë serbë, ndërsa gjykata serbe përveç tri rasteve të zyrtarëve të mesëm, nuk ka akuzuar asnjë zyrtarë të lartë ushtarak apo policor dhe asnjë zyrtar qeveritar, me gjithë dyshimet e besueshme ndaj disa individëve.
Organizata thekson se ndër rastet më të rënda është dërgimi i mbi 900 trupave të shqiptarëve nga Kosova në Serbi dhe rivarrimi i tyre në varreza masive, përfshirë edhe qendrat e stërvitjes së policisë. Disa nga personat e dyshuar si të përfshirë në këtë krim janë përmendur edhe në Hagë gjatë procesit gjyqësor kundër shefit të policisë serbe Vlastimir Gjorgjeviç, por, deri tash asnjë nuk është akuzuar.
Organizata vë theksin tek hetimi i vrasjes së vëllezërve Bytyçi, tre shtetasve amerikan me prejardhje nga Kosova, që u ekzekutuan në vitin 1999. Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.
Në përfundim të luftës ata janë arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë. Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.
Katër ditë para skadimit të dënimit, ata janë marrë nga burgu dhe janë dërguar në Petrovo Selo ku janë vrarë nga afërsia. Trupat janë gjetur në varrezë masive me duar të lidhura me tela.
Që nga viti 2006, janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Byrtyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë. Zhvillimi i proceseve u përcoll me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes.
Sandra Orloviç, nga Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd, shkruante javën e kaluar se dëshmitë flasin që vrasja e vëllezërve Bytyçi është urdhëruar nga qarqe të larta të qeverisë jugosllave dhe nëpërmjet Goran Radosaljeviçit, i njohur me nofkën Guri, një ish gjeneral i policisë serbe. Aktualisht ai është në Këshillin Drejtues të Partisë Përparimtare serbe të kryeministrit Vuçiç.
Para nisjes për në Shtetet e Bashkuara, kryeministrit serb kërkoi ndriçimin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi duke e cilësuar këtë rast si një nga pengesat kryesore në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Por, Human Rights Watch, thekson se me gjithë zotimet e kryeministrit Vuçiç, askush nuk është vënë para drejtësisë për këtë krim dhe se autoritetet serbe të ndjekjes duhet të mbeten të përfshira dhe të kenë mbështetjen e plotë për hetimin e thellë e të pavarur të këtij rasti.
Organizata thekson se dyshimet e besueshme të hedhura nga Qendra për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd, për përfshirjen në krime lufte të shefit të shtatmadhorisë serbe Lubisha Dikoviç, janë një shqetësim tjetër duke pasur parasysh ndihmën amerikane për ushtrinë serbe. Dyshimet përfshijnë vrasjen e civilëve në fshatrat Rrezallë dhe Çikatovë e vjetër të rajonit të Drenicës në Kosovën Qendrore, trupat e të cilëve janë fshehur në një varrezë masive në Rashkë, në Serbinë jugperëndimore
Së këndejmi, Human Rights Watch, thekson se Shtetet e Bashkuara duhet të nxisin hetimin e plotë të këtyre çështjeve, përfshirë edhe trajtimin e migruesve dhe strehimkërkuesve.
Organizata tha se në nëntor të vitit 2014 ka dokumentuar keqtrajtimin dhe shkeljen e të drejtave të njeriut të migruesve dhe strehimkërkuesve në Serbi, shumica e të cilëve sirian dhe afgan. Organizata tha se të intervistuarit kanë folur për sulme të dhunshme, kërcënime, ofendime, trysni, mohim të mbrojtjes së posaçme për fëmijët e pashoqëruar dhe kthim prapa në Maqedoni. Disa familje dhe fëmijë të pashoqëruar thanë se ata janë kthyer prapa kur kanë provuar të regjistrohen si strehimkërkues dhe kanë fjetur pastaj jashtë në të ftohtë.
Në prill të vitit 2015 Ministria e brendshme serbe kishte mohuar njoftimet e Human Rights Watch, por pa ofruar asnjë informatë nëse po hetohen këto çështje.
Kërkimet e Human Rights Watch, dëshmojnë po ashtu se punonjësit e medias në Serbi, veprojnë në një mjedis armiqësor. Organizata ka intervistuar 28 gazetarë ndërmjet tetorit të vitit 2014 dhe marsit të vitit 2015, të cilët flasin për sulme fizike e kërcënime, përfshirë edhe kërcënimet me vdekje, si rrjedhojë e raportimeve për krimet e luftës dhe korrupsionin qeveritar.
Gazetarët përballen edhe me ndërhyrje politike në punën e tyre, me sulme kibernetike në faqet e internetit dhe deri tash nuk ka pasur raste të ndjekjes së autorëve. Organizata thekson se Shtetet e bashkuara duhet të nxisin qeverinë serbe që të hetojë këto raste, të dënojë sulmet mbi mediat dhe të sigurojë që zyrtarët e saj do të përmbahen nga veprimet kundër gazetarëve. za