Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka folur pas takimeve që ka pasur në Bruksel me funksionarë të lartë evropianë ku është folur për marrëveshjen bazike në mes Kosovës dhe Serbisë. Vuçiç ka thënë se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
“Gjatë bisedimeve në Bruksel kemi biseduar për të gjitha temat dhe marrëveshjet, kam thënë qartë se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB apo pavarësinë e Kosovës, por se jemi të gatshëm të përmbushim atë që është marrë vesh, letra e 21 tetorit është një bazë e mirë për vazhdimin e diskutimeve në të ardhmen”, tha Vuçiç në Bruksel.
Ai ka thënë se është gati që të formohet Asociaconit i komunave me shumicë serbe.
“Ne jemi plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit në përputhje me propozimet që kemi marrë, për letrën e 21 tetorit kemi thënë se jemi të gatshëm të pranojmë dhe të shkojmë në zbatim”, ka deklaruar Vuçiç.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka pasur kërkesa që e zhbëjnë marrëveshjen bazike.
’Presidenti i Serbisë, Vuçiç, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq para takimit të liderëve të BE’së ka komentuar rreth takimeve të liderëve të Kosovës dhe Serbisë me ata europianë.
Ai ka thënë se nuk mund të komentojë shumë për to.
“Këto bisedime ende po vazhdojnë nuk mund t’i komentoj, nuk e di për çka janë marrë vesh. Pra, biseda, jo të gjithë së bashku, por së pari me liderët europianë, njëherë Kryeministri i Kosovës më duket e më pas presidenti i Serbisë. S’kemi ndonjë njoftim, kur të vijnë ata (liderët e BE’së) do të shohim çfarë ka” ka theksuar Plenkoviq.
I pyetur nëse Kroacia angazhohet për të sanksionuar Serbinë për shkak të sulmit të 24 shtatorit, Plenkoviq ka thënë se konkluzionet e BE’së në masë të madhe janë dakorduar dhe se ato janë të forta dhe serioze sa i përket këtij rasi.
Modeli modern për Asociacionin, Stano: Sot nuk pritet ndonjë rezultat përfundimtar – përmbushja e detyrimeve vlen për të dyja palët
“Konkluzionet pak a shumë janë dakorduar, janë te forta, serioze. Ne konsiderojmë se ai akt, de facto, i një grupi terrorist paramilitar i cili ka ardhur i pajisur e i trajnuar që nuk ka ardhur nga Marsi, por nga Serbia sepse janë përgatitur për atë aksion, ka qenë goditje serioze për destabilizimin e Kosovës dhe Veriut të Kosovës. Kjo është skajshmërisht e papranueshme dhe këtë e kemi thënë në të gjitha rastet e mundshme siç ishte rasti në Granadë. Se çfarë do të ndërmerret tash do të shohim pas këtyre bisedave. Me sa kuptoj unë ekziston vullneti dhe dëshira e të dyja palëve që kjo situatë të qetësohet dhe të vazhdohen bisedimet për normalizim”.
Serbët në Kosovë së shpejti do të kenë një parti të re politike, e cila do të veprojë në të gjitha zonat e banuara me shumicë serbe në veri dhe jug të lumit Ibër, me qëllim të “mbrojtjes së interesave të tyre”.
Bëhet fjalë për partinë Lëvizja Popullore Serbe, e cila është themeluar si alternativë ndaj Listës Serbe, nga Branimir Stojanoviq, aktivist politik nga jugu, dhe Millia Bishevac nga veriu i Kosovës.
Lista Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit, ishte deri tani opsioni i vetëm politik që funksiononte në të gjitha mjediset e banuara me serbë në Kosovë.
“Ne duam të ndërtojmë një organizim të ri politik që do të përfaqësojë interesat e njerëzve nga të gjitha komunitetet serbe në mënyrë të arsyeshme dhe racionale”, thotë Branimir Stojanoviq në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë (REL).
Megjithatë, ai nuk deshi t’i zbulojë emrat e personave që, përveç tij dhe Bishevacit, do të kenë rol në këtë lëvizje.
“Për pak kohë do t’i mësoni emrat e disa njerëzve të rinj dhe të mjediseve të tjera [të banuara me shumicë serbe]. Do të shihni që është një nismë më serioze dhe më e gjerë, e cila nuk kufizohet vetëm te ne të dy. Larg kësaj, do të ketë shumë njerëz të rinj”, shprehet Stojanoviq.
Ai shton se disa prej atyre që do të jenë anëtarë të Lëvizjes Popullore Serbe, kanë marrë pjesë në politikë, e disa të tjerë, do të jenë të rinj.
Një nga themeluesit e Listës Serbe ishte edhe Branimir Stojanoviq, i cili pas largimit nga kjo parti, u bë “kundërshtar dhe kritik” i saj. Siç deklaroi vetë Stojanoviq, ai u largua nga Lista Serbe, sepse më nuk pajtohej me politikën e tyre.
Në zgjedhjet lokale të Kosovës në vitin 2021, ai ishte kandidat i pavarur për kryetar të Graçanicës, një komunë e banuar me shumicë serbe afër Prishtinës.
Po atë vit, Millia Bishevac mori pjesë në zgjedhjet në Zubin Potok në veri të Kosovës me Iniciativën e tij Qytetare, Për Zubin Potokun, kur hyri në Kuvendin Komunal si këshilltar.
“Ne duam të ofrojmë një alternativë, të tregojmë se si duhet të jetë, jo vetëm të jemi kundër diçkaje, por të jemi në interes të njeriut të thjeshtë”, tha Stojanoviq.
Fytyra të reja edhe te Lista Serbe?
Derisa alternativat e reja politike serbe po afrohen, Lista Serbe, siç ka njoftuar, të martën do të mbajë Kuvendin e partisë. Nga kjo parti nuk është saktësuar se cili do të jetë rendi i ditës, por mediat lokale në gjuhën shqipe në Kosovë raportuan më herët se Lista Serbe do të zgjedhë kryetarin dhe kryesinë e re.
Deri më 29 shtator, nënkryetar i Listës Serbe ishte Millan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë afër Zveçanit nga një grup i armatosur serbësh, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Lista Serbe deri më tani nuk është distancuar publikisht nga Radoiçiqi dhe as nuk ka reaguar pas dorëheqjes së tij.
Branimir Stojanoviq, nga ana tjetër, beson se çdo ndryshim brenda Listës Serbe do të jetë formal, gjegjësisht nuk do të sjellë “ndryshime thelbësore”.
“Prandaj është e rëndësishme që populli ynë të kuptojë se mjaft është me këtë formalitet… besoj se njerëzit tanë do ta vlerësojnë shumë mirë se të gjitha ndryshimet që do të ndodhin, janë thjesht ‘larje’ e një mekanizmi korruptiv, që është vështirë të ndryshohet”, tha Stojanoviq në një deklaratë për REL-in.
Lista Serbe Kuvendin e fundit të rregullt zgjedhor e mbajti në vitin 2021, kur Goran Rakiqi u zgjodh kryetar i partisë për një mandat katërvjeçar.
Ndërsa nënkryetarë u zgjodhën Millan Radoiçiq, Igor Simiq dhe Dalibor Jevtiq.
Edhe Miodrag Marinkoviq nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Afirmative Sociale, beson se personat e rinj në listën Serbe nuk do të thonë “praktikisht asgjë” dhe beson se kjo parti me siguri do të mbetet me ndikim për shkak të mbështetjes së Beogradit.
“Këtë mund ta shohim nga qeverisja e Partisë Progresive Serbe në Serbi, në të cilën njerëzit drejtues në parti zëvendësohen sepse janë diskredituar nga një sërë aferash. Mendoj se po kjo po i ndodhë Listës Serbe. Është vetëm një tentativë ‘ribrendimi’ por jo një ndryshim thelbësor”, shprehet ai.
A do ta ketë ndonjë parti tjetër mbështetjen e Beogradit?
Marinkoviq nga Qendra për Çështje Sociale Afirmative konsideron se është mirë që do të ketë “pluralizëm” në mesin e komunitetit serb në Kosovë, pas një dekade të sundimit absolut të Listës Serbe.
Megjithatë, ai thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet opsioneve politike që deklarohen si “alternativë e Listës Serbe” dhe përmend “domosdoshmërinë e bashkëpunimit me Beogradin” dhe “qëndrimin e unifikuar ndaj autoriteteve të Kosovës me qëllim të mbrojtjes së interesave të komuniteti serb” si arsye.
Marinkoviq, gjithashtu, beson se asnjë opsion i ri politik nuk do ta ketë mbështetjen e Beogradit, nëse nuk ka kontroll mbi të.
“Lista serbe është ende në lojë, është e diskredituar, por ajo që e bën atë një faktor të vlefshëm në mesin e komunitetit serb është pikërisht mbështetja nga Beogradi. Ka mekanizma që mund të përdoren për të ndikuar te votuesit”, thotë Marinkoviq dhe në këtë kontekst përmend se një numër i madh i të punësuarve në institucionet serbe janë në Kosovë.
Nga ana tjetër, Branimir Stojanoviq thotë se në këtë moment është e rëndësishme që ata të përkrahen nga “njerëz të zakonshëm”.
“Nëse dikush tjetër do të na mbështesë më vonë dhe do ta kuptojë se politika e bërë në këtë mënyrë nuk mund të vazhdojë, ne nuk mund ta dimë këtë. E sigurt është se ne duam të flasim me të gjithë ata që ndikojnë në jetën tonë. Sigurisht që Beogradi është një nga ato adresa dhe se a do të ketë mirëkuptim për argumentin tonë, nuk mund ta dimë tani”, thekson ai.
Parashihet formimi i nismave të tjera
Aktivisti politik nga Mitrovica e Veriut, Dejan Nedelkoviq, më parë i tha REL-it se ai dhe njerëzit e tij, ngjashëm do të formojnë iniciativa qytetare nëse shpallen zgjedhjet lokale në komunat në veri dhe Lista Serbe merr pjesë në to.
“Këtë na e kërkojnë qytetarët, pas 10 vjetësh punë opozitare, sa jemi duke luftuar kundër Listës Serbe, populli vetëm pas dhjetë vjetësh e ka konstatuar se kemi të drejtë”, tha ai.
Gjithashtu, një grup politikanësh nga veriu dhe jugu paralajmëruan riaktivizimin e Këshillit Kombëtar Serb, i cili funksionoi deri në vitin 2013.
Ndryshe, shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës është paraparë me planin për shtensionim të situatës, pasi kryetarët shqiptarë morën pushtetin në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Kryetarët e zgjedhur të këtyre komunave nuk pranohen nga popullata lokale serbe, e cila i bojkotoi zgjedhjet e prillit.
Lista Serbe, e cila fillimisht bëri thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve, më 13 tetor njoftoi se është e gatshme të marrë pjesë në to.
Ndërtesa e Kuvendit të Serbisë. Fotografi nga arkivi.
Gjatë seancës së parë të sesionit vjeshtor, një pjesë e deputetëve opozitarë në Kuvendin e Serbisë më 23 tetor ngritën çështjen e rolit të udhëheqjes serbe në sulmin në Banjskë në veri të Kosovës.
Më 24 shtator, një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por kjo e fundit ka mohuar çdo përfshirje.
Përgjegjësinë për sulmin në Banjska e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.
“Prandaj le të pyesim tani [drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion – BIA, Aleksandar] Vulinin, [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiqin, dhe [ministrin serb të Punëve të Brendshme, Bratisllav] Gashiqin, si është e mundur që nuk e dinit se çfarë po bënte Radoiçiqi në Banjskë me persona të armatosur me mitraloz, pushkë që asnjë qyteti të Serbisë nuk i lejohet t’i mbajë privatisht”, tha Nebojsha Zellenoviq, bashkëkryetar i partisë opozitare Së bashku, teksa iu drejtua deputetëve në seancë plenare.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Millenko Jovanov, u kundërpërgjigj duke thënë se Zellenoviq për gjithçka fajëson serbët, pa e shikuar përgjegjësinë e palës tjetër.
“Ai thotë se është e tmerrshme që Aleksandar Vuçiq nuk dinte asgjë, por për të nuk është e tmerrshme që vdiqën tre serbë. Ai këtë nuk e tha kurrë”, tha Jovanov.
Një pjesë e opozitës në Serbi ka kërkuar më 3 tetor një seancë urgjente të Kuvendit, në të cilën, përmes formimit të Komisionit Hetimor, do të përcaktohej përgjegjësia e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe roli i Millan Radoiçiq, për ngjarjet në Banjksë. Por, një propozim i tillë nuk është pranuar.
Ky zhvillim vjen në ditën kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sulmi në Banjskë u krye nga “Klani i Novi Sadit, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq”.
“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”, shkroi Kurti në Facebook të hënën.
Vuçeviq i ka hedhur poshtë si “gënjeshtra plotësisht të neveritshme dhe flagrante” deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Kosova ka kërkuar që të kryhet një hetim ndërkombëtar për Serbinë, në mënyrë që të përcaktohet roli i Beogradit në sulmin që Prishtina e cilëson si terrorist.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Zëvendëskryeministri i Serbisë tha se pajisjet ushtarake kineze kanë forcuar ndjeshëm forcat e armatosura serbe, posaçërisht në sistemin e mbrojtjes ajrore dhe me dronë.
“Për sa u përket marrëdhënieve dypalëshe Serbi-Kinë, do të veçoja bashkëpunimin ushtarak si dhe bashkëpunimin ekonomik dhe investimet e shumta, të cilat janë shumë të rëndësishme për vendin tonë”, tha Milosh Vuçeviç, i cili është edhe ministër i Mbrojtjes i Serbisë në një intervistë për mediumin e kontrolluar nga shteti Global Times, që u botua të dielën.
Vuçeviç tha se përpjekjet për pajisjen dhe modernizimin e forcave të armatosura kanë për qëllim mbrojtjen.
Presidenti i Kinës Xi Jinping, bëri thirrje për një bashkërendim më të fortë strategjik me “mikun e çeliktë” Serbinë, kur takoi presidentin e saj, Aleksandar Vuçiç, në Pekin javën e kaluar, duke u zotuar për mbështetje ndaj Serbisë në ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë tokësore të saj.
Ministri Vuçeviç tha se sistemi i raketave kundërajrore kineze me rreze të mesme veprimi FK-3 dhe fluturaket pa pilot CH-95 dhe CH-92A, janë “pa dyshim” ndër sistemet më të rëndësishme të mbrojtjes që kishte marrë Serbia.
Vendi ballkanik shfaqi raketat tokë-ajër të prodhuara nga Kina së bashku me pajisje të tjera ushtarake të blera nga Rusia dhe Perëndimi, në prill të vitit të kaluar.
Në vitin 2019 Serbia bleu sistemin e mbrojtjes tokë-ajër FK-3, të ngjashëm me sistemin rus S-300 ose sistemin amerikan Patriot. Ajo e mori sistemin vitin e kaluar.
Tensionet kanë qenë të larta në muajt e fundit midis Serbisë dhe Kosovës, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999.
Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Rusia, e cila tradicionalisht mbështet Serbinë, kanë thënë se po e vëzhgojnë situatën.
Ministri Vuçeviç tha se Serbia do të rrisë aftësitë e saj për të mbrojtur pavarësinë, por nuk shpjegoi nëse do të merrte më shumë pajisje ushtarake kineze.
Megjithatë, ai tha se ishte i sigurt që të dyja vendet do të zhvillonin marrëdhëniet e tyre, pasi Kina ishte një nga miqtë “më të besueshëm” të Serbisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të dielën se “qëllimi i vetëm” i Perëndimit është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe se pret që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë kah fundi i javës së ardhshme në Bruksel.
Vuçiqi i bëri këto deklarata gjatë një adresimi publik në televizionin Pink mëngjesin e së dielës, një ditë pasi u takua në Beograd me pesë diplomatët perëndimorë.
Ai e përsëriti se takimi i djeshëm ishte “i vështirë” për të dhe se nuk mund të jepte më shumë hollësi.
“Natyrisht, gjithçka rreth Kosovës është tejet e vështirë për ne. Njerëzit mendojnë se kjo është vetëm për shkak të Banjskës, por nuk është ashtu. Për ne ishte e tmerrshme në aspektin taktik dhe prodhoi pasoja të caktuara, por në kuptimin strategjik, qëllimi i vetëm i tyre është që ne ta njohim Kosovën”, tha Vuçiq.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se tentoi ta “aneksojë veriun e Kosovës” kur një grup serbësh të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Pas takimit me Vuçiqin, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, e përsëriti se sulmuesit e policisë së Kosovës në Banjskë duhet të sillen para drejtësisë dhe se incidenti duhet të hetohet tërësisht, si dhe i kërkoi Serbisë të bashkëpunojë në këtë çështje.
Emisarët perëndimorë i kërkuan Prishtinës dhe Beogradit gjatë takimeve të së shtunës me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Prishtinë, dhe presidentin serb Vuçiq në Beograd, që t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe ta zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit.
Lajçak tha se shtensionimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë më urgjente së kurrë më parë.
Lajçak deklaroi në Prishtinë se me katër diplomatët e tjerë vizituan Prishtinën dhe Beogradin me një plan.
I pyetur nëse pret trysni, Vuçiq tha se vendet e Perëndimit i kanë politikat dhe qëndrimet e veta të cilat “janë plotësisht të kundërta me qëndrimin tonë”.
“Ne duhet ta kuptojmë atë realitet. Shtetet e Bashkuara nuk do ta ndryshojnë qëndrimin, Gjermania nuk do ta ndryshojë qëndrimin”, tha Vuçiq.
Ndërkohë, kryeministri kosovar Kurti theksoi pas takimit të shtunën me pesëshen diplomatike se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën janë siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.
“Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”, tha Kurti.
Në lidhje me dialogun, ai theksoi se “është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re”.rel
Përfaqësuesi Millojko Spajiq (në mes) me kolegët e partisë në seancën konstituive të Kuvendit të Malit të Zi në Podgoricë, më 27 korrik 2023.
Millosh Rudoviq
Pavarësisht kundërshtimit të partnerëve amerikanë dhe evropianë, forcat e ish-Frontit Demokratik (DF), pro-rus do të jenë pjesë e qeverisë së re malazeze të Millojko Spajiqit.
Sipas marrëveshjes për formimin e qeverisë, DF-ja do ta mbështesë Qeverinë e pakicës në Parlament dhe në fund të vitit të ardhshëm, përmes ristrukturimit, zyrtarisht do të bëhet pjesë e saj. Në krye të Kuvendit do të jetë gjithashtu një nga liderët e FD-së, Andrija Mandiq. Partitë e DF-së mbështesin heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë kundërshtarë të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, mohojnë gjenocidin në Srebrenicë…
Së fundmi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) njoftuan se janë shumë të shqetësuara që koalicioni i ri qeverisës në Mal të Zi do të formohet nga parti dhe liderë që janë aktivisht kundër vlerave euroatlantike. Mesazhe të ngjashme janë dërguar edhe nga Bashkimi Evropian.
Siç njoftuan mediat, seanca e Kuvendit, në të cilën duhet të zgjidhen kryetarët e Kuvendit dhe të Qeverisë duhet të mbahet më 26 tetor.
Nga Kuvendi i thanë Radios Evropa e Lirë se ende nuk ka ardhur iniciativa zyrtare për këtë seancë.
Vazhdimi i seancës pas tre muajsh
Seanca e parë e Kuvendit u mbajt një muaj e gjysmë pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit, në të cilat “Lëvizja Evropa tani” mori më së shumti mandate, 24 nga 81, në bazë të të cilave lideri i tyre Millojko Spajiq më 10 gusht mori mandatin për të propozuar përbërjen e Qeverisë.
Prej atëherë Kuvendi nuk është mbledhur, sepse ishte në pritje të marrëveshjes për formimin e Qeverisë.
Spajiqit iu deshën më shumë se dy muaj për të arritur marrëveshje me partitë për ndarjen e funksioneve.
Një pjesë e ministrive i merr DF-ja
Qeveria do të ketë një kryeministër, katër zëvendëskryeministra dhe 18 ministra.
Lëvizja e Spajiqit “Evropa tani”, përveç postit të kryeministrit, do të drejtojë 10 ministri, duke përfshirë atë të Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane, Drejtësisë, Financave, Shëndetësisë, Energjisë, Planifikimit Urban, Transportit, Arsimit dhe Mirëqenies Sociale.
Përveç dy posteve të nënkryetarëve, demokratët do të marrin gjithashtu katër ministri – atë për Punë të Brendshme, Mbrojtje, Turizëm dhe Ekologji, Kulturë dhe Media.
Partia Popullore Socialiste Pro-Serbe do të mbajë dy ministritë e Bujqësisë dhe Pylltarisë, si dhe Sportit dhe Rinisë, që e mbulon aktualisht në Qeverinë e Dritan Abazoviqit.
Edhe partitë shqiptare do t’i mbajnë dy ministritë që drejtojnë në Qeverinë aktuale, atë të të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave dhe Administratës Publike. Ato do të marrin edhe postin e zëvendëskryeministrit.
Partitë pro-ruse që në fillim përbënin Frontin Demokratik, nuk do të jenë pjesë e Qeverisë. Sipas marrëveshjes që kanë nënshkruar me mandatarin dhe partitë e tjera, ata do të hyjnë në qeveri më vonë, deri në fund të vitit të ardhshëm.
Atëherë do të marrin një post të zëvendëskryeministrit dhe katër poste ministrore – Transportin, Arsimin, Turizmin dhe Planifikim Urban.
Deri në marrjen e këtyre ministrive, DF-ja do të ketë sekretarë shtetërorë në to.
Jashtë qeverisë mbeten partitë pro-malazeze, Partia Demokratike e Socialistëve të Millo Gjukanoviqit, Socialdemokratët, Partia Liberale, partitë kombëtare të boshnjakëve dhe kroatëve, si dhe Lëvizja URA e Dritan Abazoviqit.
Çfarë thotë marrëveshja?
Partitë marrin përsipër të votojnë unanimisht zgjedhjen e Qeverisë dhe kryesisë së Kuvendit, buxhetin, seancat dëgjimore në Parlament dhe shqyrtimin e projektligjit.
Ata, gjithashtu, marrin përsipër të mos mbështesin akte që mund të “minojnë kohezionin e shoqërisë ose të shkaktojnë tensione të panevojshme”.
Pjesëmarrësit u zotuan se orientimi i politikës së jashtme të Qeverisë bazohet në përkushtimin e plotë për integrimin dhe procesin e përshpejtuar të anëtarësimit në BE, anëtarësimin në NATO dhe zhvillimin e bashkëpunimit miqësor me të gjitha vendet e njohura nga Mali i Zi.
“Qeveria do të mbetet e përkushtuar për harmonizimin e plotë të politikës së saj të jashtme me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke respektuar të gjitha detyrimet dhe kontratat e marra ndërkombëtarisht”, thuhet në tekstin e propozimit.
Kjo duhet të garantojë se Qeveria nuk do të marrë vendime që do të vënë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës, sanksionet ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe detyrimet ndaj NATO-s.
Në të njëjtën ditë kur u nënshkrua Marrëveshja, u publikua edhe një anketë e Qendrës për Edukim Qytetar për qëndrimet e qytetarëve.
Bazuar në rezultatet e marra, drejtoresha e “Qendrës të së drejtës civile” Daliborka Ulareviq, konkludoi se qeveria e ardhshme do të dominohet nga partitë, përkrahësit e së cilave nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të cilët janë në anën e Rusisë në luftën kundër Ukrainës dhe janë kundër sanksioneve kundër Moskës.
Marrëveshja nënkupton gjithashtu se palët do të avokojnë për shtetin e së drejtës, reformat zgjedhore, barazinë dhe barazinë e qytetarëve dhe drejtësinë sociale.
Një nga pikat është se ata do të respektojnë Kushtetutën dhe vendimet e gjykatave.
Në një nga reagimet e para për përbërjen e qeverisë së re, kryetari i DPS-së opozitare, Danijel Zhivkoviq, vlerësoi se ishte një qeveri antievropiane dhe antimalazeze.
Përkatësisht, në Qeveri nuk ka përfaqësues të partive pro-malazeze.
“Qëllimi i kësaj strukture aktuale qeverisëse është që Mali i Zi të mos jetë më anëtar i BE-së apo NATO-s”.
Zhivkoviq e komentoi edhe pjesëmarrjen e partive shqiptare në Qeveri, të cilat prej vitesh kanë qenë partnerë tradicionalë të DPS-së së Gjukanoviqit.
Siç tha ai, pikërisht ato forca, me të cilat partitë shqiptare do të jenë tani në Qeveri kontribuuan në eksodin e shqiptarëve në vitet ‘90.
“Por, ky është vendimi i tyre politik, me të cilin do të duhet të përballen”.
Dhe një nga liderët e partive shqiptare, Nik Gjeloshaj, tha se vendimi i tyre për t’u bashkuar me qeverinë ishte “lehtësuar nga fryma demokratike, properëndimore e mandatarit Spajiq”.
Ai vuri në dukje se ka pasur dallime me disa forca politike, por koha i zbuti ato dhe e bëri të qartë domosdoshmërinë e veprimit të përbashkët për të forcuar bashkëjetesën në Mal të Zi.
Qeveria e Millojko Spajiqit do të jetë e treta që nga shkarkimi i qeverisë tredekadëshe të DPS-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020.
Dy të mëparshmet e humbën besimin në Kuvend – Qeveria e Zdravko Krivokapiqit në shkurt 2022 dhe ajo e Dritan Abazoviqit në gusht të po atij viti.
Parlamenti Evropian votoi sot Rezolutën për Malin e Zi, e cila konfirmon bllokimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
“Arsyet janë dështimi për të ndërtuar një konsensus për çështjet me interes kombëtar dhe mungesa e dialogut ndërpartiak. E gjithë kjo çoi në vonesën e përparimit në reforma dhe e shtyu Malin e Zi në një krizë të thellë politike dhe institucionale,” thuhet në dokumentin e PE, ndër të tjera.
529 përfaqësues evropianë votuan “pro” në seancën plenare, 51 ishin kundër dhe 53 abstenuan.
Në prag të miratimit të rezolutës, PE zhvilloi dje një diskutim për situatën në Mal të Zi, nga ku thuajse njëzëri u njoftua se Podgorica zyrtare prej vitesh është në ngecje në procesin e integrimit evropian për shkak të paqëndrueshmërisë politike. situatë. Teksti i rezolutës përfshin edhe një amendament që kërkon që Mali i Zi të bëjë regjistrimin e popullsisë “sapo të përfundojë bllokimi politik në vend”, raporton Radio Evropa e Lirë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të martën se e zhvilloi “një bisedë të shkurtër” me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, me të cilin, megjithatë, tha se “nuk pati takim dypalësh” gjatë vizitës së tyre në Pekin.
Ai nuk dha hollësi se çfarë kanë biseduar gjatë takimit të martën në kryeqytetin kinez.
Vuçiqi dhe Putini morën pjesë në forumin ndërkombëtar të iniciativës kineze “Belt and Road” në Pekin.
Kjo është hera e parë që ata takohen në të njëjtin vend qëkur Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në mars të vitit 2022.
Serbia është në shënjestër të kritikave nga Bashkimi Evropian, sepse nuk po pranon të vendosë sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.
Vuçiq dhe Daçiq për marrëveshjet e nënshkruara me Kinën
Vuçiqi tha të martën në Pekin se qytetarët serbë do ta ndiejnë efektin e nënshkrimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Serbisë dhe Kinës.
Serbia dhe Kina nënshkruan një sërë marrëveshjesh më 17 tetor, ndër të cilat më e rëndësishmja është Marrëveshja e Tregtisë së Lirë.
Vuçiq deklaroi se frutikulturat “do ta kenë më të lehtë të gjejnë tregun e tyre pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje”.
“Qytetarët do të ndiejnë se ekonomia po rritet. Nga kjo jetojmë të gjithë ne, me atë jeton sektori publik. Pagat dhe pensionet varen nga ajo se sa e fortë është ekonomia jonë”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se bisedimet u zhvilluan “me presidentin kinez për thellimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në të gjitha nivelet”. Ai nuk dha detaje të tjera.
Vuçiq, po ashtu, ka deklaruar se vizita në Pekin është shfrytëzuar edhe për “të bërë miq në Afrikë dhe Azi”.
Vuçiq, ndërkaq, është duke udhëhequr delegacionin serb në Kinë në forumin ndërkombëtar “Belt and Road” dhe shoqërohet nga ministra të shumtë të Qeverisë.
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, i është përgjigjur kritikave të BE-së për nënshkrimin e marrëveshjes me Kinën.
Duke reaguar ndaj nënshkrimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me Kinën më 17 tetor, Bashkimi Evropian njoftoi se Serbia, si kandidate për anëtarësim në BE, u zotua të tërhiqet “nga të gjitha marrëveshjet dypalëshe të tregtisë së lirë” në ditën e anëtarësimit në bllok.
Daçiq tha se BE-ja duhet së pari të përgjigjet kur do t’i bashkohet Serbia bllokut.
“Deri atëherë, ne duhet të bëjmë punën tonë, e cila është në interes të popullit tonë”, tha Daçiq, duke shtuar se Marrëveshja për tregtinë e lirë ndërmjet Serbisë dhe Kinës “është një arritje historike që do të jetë me përfitim të madh për Serbinë në dekadat e ardhshme”.rel
Ndërsa në Tiranë po mbahet një samit në kuadër të procesit të Berlinit, ne kryeqytetin kinez zhvillohet forumi i tretë ‘Brez dhe Rrugë’ ku do të marrë pjesë edhe presidenti rus Vladimir Putin. Edhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe delegacioni i qeverisë së Serbisë, janë nisur këtë të hënë për në Pekin për të qenë të pranishëm në këtë forum. Presidenti i Serbisë deklaroi se vizita në Kinë është shumë e rëndësishme në momente që nuk janë aspak të lehta.
Vuçiç paralajmëroi takime dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme me Kinën, si dhe takime dypalëshe me presidentin kinez Xi Jinping. Udhëheqësit, përfaqësuesit dhe delegacionet nga më shumë se 140 vende, duke përfshirë Lindjen e Mesme pritet të takohen në kryeqytetin kinez për mbledhjen dy-ditore.
Ne vitin 2013 Kina rriti shpenzimet e saj, pas propozimit të udhëheqësit Xi Jinping për krijimin e asaj që ai e quajti nisma “Një Brez Një Rrugë”, një projekt që parasheh investime infrastrukturore në vende në zhvillim. Vëzhguesit thonë se strategjia e Kinës mund të jetë ndikimi politik në vendet ku janë shtrirë investimet e saj.bw
Beograd – Çedomir Jovanoviq, kryetar i Partisë Liberaldemokrate të Serbisë, ka folur për situatën më të re pas agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, përmes sulmit terrorist të një grupi kriminal serb, më 24 shtator. Ai tha se e gjithë kjo vjen nga mungesa e përgjigjes se çfarë është e ardhmja e Kosovës.
Lidhur me agresionin terrorist nga Serbia përmes një grupit kriminal serb në veri të Kosovës, Jovanoviq tha se ndiente keqardhje për policin e vrarë të Kosovës, por edhe për ata serbë fatkeq që humbën jetën ashtu siç kanë humbur jetën serbët për 30 vjet me radhë, në Kroaci, Bosnjë e Kosovë.
“Fatkeqësisht këto janë pasojat e gabimeve të mëdha e mungesë së marrëveshjeve, e pasiqneritetit që aq shumë ka ngarkuar jetesën e serbëve në Kosovë.
Për situatën në të cilën ndodhemi, ai i vë përgjegjës liderët politikë rajonal, por edhe në BE.
“Unë besoj se në Kosovë mund të ketë bashkëjetesë. Kam shumë miq në Kosovë që duan paqen, ashtu sikurse edhe në Serbi ka shumë njerëz që e duan paqen. Ashtu edhe serbët në Kosovë janë të vetëdijshëm se nuk ka lumturi, nëse nuk ka edhe pala tjetër. Paqja e lumturia është e ndërsjellë”, deklaroi Jovanoviq.
Veprimi në Banjskë nuk është kryer brenda natës
Ndërkaq për situatën në veri të Kosovës, Jovanoviq tha se ai veprim nuk është kryer brenda natës dhe që KFOR-i nuk e ka kryer punën e vet dhe e di që nuk ka kushte politike që do të garantonin një jetë të qetë , derisa u shpreh se nuk beson në opsionin e luftës mes Kosovës e Serbisë, që dikush nga Serbia do të mund ta kalonte vijën kufitare e të vinte, siç u shpreh ai, te Ura e Ibrit.
“As Rugova e as Agani nuk ishin armiq të Serbisë, por njerëz që vuanin duke kërkuar një lloj hapësire për vetveten, pastaj erdhi koha e luftës që përfundoi më 1999, por jo me një paqe të qëndrueshme dhe zgjidhje politike që do të siguronin bashkëjetesë, por me kompromise të rënda që tani shkaktojnë atë që është esencë e problemit të Kosovës e kjo është mungesa e përgjigjes së pyetjen se çfarë është e ardhmja e Kosovës? Kosova nuk është shtet për Serbinë , nuk është as për Borrellin e as për Lajçakun, që udhëheqin negociata ndërmjet Kosovës e Serbisë, por edhe ata vende që kanë njohur Kosovën kanë folur për të si për vrimën e zezë të Evropës, duke keqtrajtuar qytetarët e Kosovë me regjim të vizave dhe në fund kanë kërcënuar gjatë kësaj vere me sanksione që unë kam qenë kundër kësaj se kjo nuk është rruga drejt zgjidhje së çështjes”, ka thënë Jovanoviq në “Lajmet e fundit”, në RTK.
Fati i serbëve të Kosovë nuk është ofruar për zgjidhje në Kosovë por në Beograd
Lidhur me Radojçiqin e Veselinoviqin, Jovanoviq tha se nuk janë përfaqësues të denjë të popullit serbë në Kosovë, por ajo që potencoi ai është se askush nuk është mërzitur se çfarë mendojnë serbët e Kosovës në negociatat në mes Kosovës e Serbisë.
“Fati i serbëve të Kosovë nuk është ofruar për zgjidhje në Kosovë, por në Beograd” , deklaroi Jovanoviq, derisa u shpreh se më mirë do të ishte të kishte më shumë pluralizëm te serbët e Kosovës.
I pyetur për dorëzimin e Radojçiqit dhe lejimin e një hetimi ndërkombëtar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, Jovanoviq u shpreh se këtë nuk do ta lejojë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, derisa shtoi se serbët në Kosovë janë pengje të politikës që udhëhiqet nga Beogradi.
Një avion i kompanisë ajrore Air Montenegro me dhjetëra udhëtarë në bord, përfshirë nga Kosova, është ulur në Podgoricë pas fluturimit nga Izraeli të martën në mëngjes.
Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi njoftoi në rrjetin social X se “101 pasagjerë mbërritën në Podgoricë nga Izraeli, nga vende si Mali i Zi, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sllovenia, Serbia dhe Suedia”.
Më 9 tetor, avioni embraer 195 i kishte dërguar në Izrael 116 turistë izraelitë që po qëndronin në Mal të Zi.
Fluturimi i evakuimit për në Podgoricë u krye në orën 03:17 të mëngjesit të sotëm.
Pas përcaktimit të listës së shtetasve malazezë që aplikuan për kthim, lista e pasagjerëve u zgjerua duke përfshirë pasagjerët që prisnin evakuimin nga disa vende të tjera dhe në komunikim me autoritetet e atyre vendeve.
Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme, për gjashtë shtetas malazezë që ndodhen në qytetin Eilat, në jug të Izraelit, dhe të cilët për arsye sigurie nuk kanë mundur të udhëtojnë në Tel Aviv dhe të hipin në këtë fluturim, Ministria i ka lejuar kalimin e kufirit me Jordaninë dhe transferimi në aeroportin më të afërt atje.
Izraeli shpalli gjendje lufte pasi u sulmua nga militantët palestinezë të Hamasit më 7 tetor. Si kundërpërgjigje, ushtria izraelite filloi të bombardonte Rripin e Gazës.
Më shumë se 1.600 njerëz u vranë nga të dyja anët.
“Vrasësi po shëtit nëpër Beograd, i ftohtë si vdekja”, “vrasësi i fëmijëve”, “Kosova dhe Metohija është pjesë e Serbisë”, “Populli serb është me Rusinë”. Janë disa nga fjalët me të cilat është fyer dhe sulmuar ambasadori amerikan në Serbi.
Ambasadori Christopher Hill është sulmuar verbalisht nga disa gra nëpër rrugët e Beogradit ndërsa ecte me bashkëshorten e tij. Teksa e kanë fyer me fjalë të rënda, gratë ‘protestuese’ e kanë filmuar për 10 minuta Ambasadorin për rolin e tij në vitin 1999 kur ishte bombarduar Serbia.
Hill ishte njëri nga negociatorët amerikanë që kishte provuar të gjejë një zgjidhje paqësore për Kosovën e Serbinë. Por Millosheviçi i kishte hedhur poshtë të gjitha ofertat që kishte çuar në bombardimin e Republikës Federale të Jugosllavisë.
Hill ka filluar punën si ambasador i SHBA në Beograd në mars të vitit të kaluar. Si duket reputacioni i tij tek serbët është ende ai i ‘bombarduesit’ të Serbisë.
“Populli serb e përkrah Rusinë, populli serb nuk i përkrah nazistët e Ukrainës. Po shëtisni i lirë në tokën serbe ndërsa po sundojnë tradhtarët”, “Kosova dhe Metohija do jenë përgjithmonë serbe”, kanë qenë disa nga fjalët ndaj Ambasadorit i cili kohë pas kohe ka kontrolluar telefonin e tij dhe i paprovokuar ka ecur drejt një muzeu.bw
Kryeministri i Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Nermin Nikshiç, mohoi se armët e përdorura në sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë janë blerë në Tuzlla, duke i quajtur ato pretendime të rreme dhe tha se nuk mund të mbështeten me asnjë provë. “Unë e kuptoj që Serbia në ditët e fundit ka qenë e ekspozuar ndaj presionit të madh nga shtetet demokratike, por kjo nuk do të thotë se ata mund të kërkojnë alibi për veprimet e tyre në Bosnje dhe Hercegovinë. Serbia nuk mund të kërkojë përgjegjësi nga kjo anë e kufirit për furnizimin me armë, trajnimin e formacioneve paraushtarake dhe grupeve të qytetarëve serbë dhe zyrtarëve lokalë që shkaktuan konfliktin e armatosur në veri të Kosovës”.
“Shërbimet e inteligjencës së Serbisë dhe udhëheqja e saj politike, për fat të keq, kanë hartuar një plan për të transferuar një pjesë të përgjegjësisë në Bosnjë dhe Hercegovinë për sulmin terrorist në vendin fqinj. Duke pasur parasysh situatën politike në vendin tonë, ata ndoshta kanë vlerësuar se nuk do të ketë reagime adekuate, të shpejta dhe të sakta të bazuara në fakte. Na kanë nënvlerësuar sërish”, ka thënë Nikshiç, raporton N1info.
Ai deklaroi se armët e gjetura nga policia e Kosovës “nuk janë prodhuar në Bosnje dhe Hercegovinë” dhe se Policia e Kosovës publikisht ka nxjerrë në pah numrat serial të predhave të mortajave dhe llojeve të tjera të municionit që janë “prodhuar në fabrikat serbe të Sllobodës, Krushikut”.
Sipas ligjeve të vendit tonë, gjatë eksportimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake, deri në gëzhoja individuale, në çdo vend tjetër kryhen procedurat më të rrepta sipas standardeve të NATO-s dhe në bashkëpunim me NATO-n. Kërkohet gjithashtu një certifikatë “përdoruesi fundor” (certifikatë për përdoruesin përfundimtar të mallit) dhe leje nga katër ministritë shtetërore (Ministria e Mbrojtjes, Sigurisë, Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike), si dhe vërtetime nga Ministria kompetente e Punëve të Brendshme për emrat e drejtuesve të mjeteve, numrat e regjistrimit përcaktimin e mjeteve që kryejnë transport, rrugët e lëvizjes etj. Natyrisht, të gjitha informacionet objektive thonë se shërbimet serbe kanë publikuar informacione të rreme. Ata rillogaritën nëse mendonin se një shaka e tillë do të kalonte pa reagim”.
“I bëjmë thirrje Serbisë që në mënyrë transparente të hetojë shkaqet e vërteta dhe të zbulojë publikisht organizatorët dhe nxitësit e vërtetë të sulmit terrorist, sepse ne e dimë se ata e dinë se kush janë ata në të vërtetë”, tha Nikshiç.bw
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Beograd, Christopher Hill, dhe ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Beograd, Emanuele Giaufret, u takuan të enjten në jug të Serbisë me ministrin e Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Millan Mojsilloviq.
Këtë e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë Ambasada e SHBA-së në Beograd.
Sipas raportimeve, takimi është zhvilluar me ftesë të zyrtarëve ushtarakë dhe shtetërorë të Serbisë, në mënyrë “që Hilli dhe Giaufret të mësojnë më shumë” për situatën pranë kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Vizita e Hillit dhe Giaufretit në kazermat e Ushtrisë Serbe vjen rreth dhjetë ditë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit, u vranë tre sulmues serbë.
Dhe, po ashtu, disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën shqetësime se Serbia kishte zhvendosur trupat e saj në afërsi të kufirit me Kosovën, duke i bërë thirrje asaj t’i tërheqë ato.
Disa media në Serbi raportuan më herët se diplomati amerikan fillimisht zbarkoi në helikopterin e Ushtrisë Serbe në kazermën “Stefan Nemanja” në Rashkë dhe më e vizitoi kazermën “Rifat Burxheviq Trsho” në Novi Pazar.
Të dyja kazermat ndodhen afër kufirit të Serbisë dhe Kosovës.
Ministria e Mbrojtjes së Serbisë njoftoi se dy diplomatët e huaj “ishin mysafirë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq, gjatë një vizite të shkurtër në disa njësi të Forcave të Armatosura të Serbisë në zonën e gjerë të Novi Pazarit”.
“Gjatë vizitës ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së patën mundësinë të sigurohen që njësitet e Forcave të Armatosura të Serbisë në atë zonë kryejnë vetëm detyrat e tyre të rregullta”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Derisa Serbia e ka mohuar çfarëdo përfshirje në këtë sulm, përgjegjësinë për të e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Ai u mor në pyetje dhe u lirua menjëherë nga autoritetet serbe më 4 tetor.
Pas kritikave nga SHBA-ja dhe BE-ja, Serbia filloi t’i tërheqë një pjesë të forcave të saj nga kufiri.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha në një intervistë për CNN më 2 tetor se raportet për rritjen e numrit të pjesëtarëve të ushtrisë në jug “nuk ishin plotësisht të vërteta” dhe deklaroi se një vit më parë ushtria serbe kishte 14,000 ushtarë në kufirin me Kosovën, ndërsa sot ka “vetëm 4.400”.
Gjykata e Lartë e Serbisë ka liruar Milan Radoiçiçin një ditë pas arrestimit, ndërsa atij i është konfiskuar pasaporta dhe i është ndaluar hyrja në Kosovë.
Gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për Radoiçiçin, pas intervistimit.
Prokuroria e kishte kërkuar paraburgimin me arsyetimin e rrezikut të arratisjes.
Me vendimin e 4 tetorit, atij i është ndaluar largimi prej territorit të Serbisë, pa miratim të gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës.
Sipas këtij vendimi, ai do të duhet të paraqitet në stacionin policor kompetent në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.
Atij i është konfiskuar përkohësisht dokumenti i udhëtimit, përkatësisht pasaporta e Republikës së Serbisë, dhe ai është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel të drejtat dhe detyrimet.
Ai akuzohet për blerje të armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzla në Bosnje dhe Hercegovinë, nga janari 2023 deri më 24 shtator.
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka njoftuar se ka arrestuar terroristin Milan Radojçiç, i cili pranoi se ishte pjesë grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës, madje organizator.
“Më 3 tetor 2023, punonjësit e policisë së Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë kontrolluar banesën dhe lokalet e tjera të Milan Radoiçiçit, i cili është urdhëruar që policia të ndalojë deri në 48 orë. Ai është sjellë në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me një kallëzim penal”, thotë MPB e Serbisë, raporton Nova.rs.
Më 30 shtator, Radojiçiç i është përgjigjur edhe një thirrje të Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe bashkë me avokatin e tij ishte parë duke hyrë në ambientet e Ministrisë.
Një ditë para se të paraqitej në ministrinë serbe, Radojiçiç e ka marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku është vrarë një zyrtar policor dhe ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi.bw
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç ka dënuar ashpër dhunën e njësive paraushtarake serbe në veri të Kosovës, si dhe ‘heroizimin’ e tyre nga Beogradi, duke kërkuar nga BE dhe Perëndimi të marrin masa kundër Serbisë.
Plenkoviç theksoi se këto lëvizje ‘nuk mund të mbeten pa përgjigje’ dhe se vendimi i Beogradit në ditën e zisë ‘pothuajse nënkupton identifikimin me atë që ka ndodhur’.
Ai theksoi nevojën e një hetim për të përcaktuar plotësisht se çfarë ka ndodhur, pas së cilës i dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të propozojë masa.
Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Odgovor” Boban Bogdanoviq ka bërë publike një informacion që ai ka pranuar lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit në veri të Kosovës.
Bogdanoviq duke iu referuar burimeve të tija thotë se politikani serb Oliver Ivanoviq është vrarë nga një terrorist që ishte pjesë e sulmit e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
“Sapo mora informacion tronditës, në formacionin terrorist nën komandën e terroristit ndërkombëtar Millan Radoiçiq në sulmin në veri të Kosovës ishte edhe vrasësi i Oliver Ivanoviq. Tani gjithçka është plotësisht e qartë, Oliveri u vra me mbështetje politike nga Beogradi”, ka shkruar ai në rrjetin social “X”.
Bogdanoviq muaj më parë ka thënë se është intervistuar nga Agjencia Informative e Sigurisë së Serbisë (BIA), pasi jep deklarata në mbështetje për Kosovën në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.
Tutje ka treguar se për dy ditë ka pranuar telefonata në këmbim që të mos kritikohet Lista Serbe dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Sipas Bogdanoviqit, këto thirrje kanë ardhur me qëllimin se në Qeverinë e ardhshme të Kosovës këtij t’i ofrohet një pozitë ministrore dhe të jetë nënkryetar i Listës Serbe.
Jo vetëm Bogdanoviq, por edhe politikanë të tjerë në Kosovë kanë treguar se regjimi i Beogradit po i shantazhon në forma të ndryshme të gjithë ata që nuk janë në Listën Serbe apo përkrahës të saj.
Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) mori përgjegjësinë për sulmin terrorist mëngjesin e sotëm në Ankara, përballë ndërtesës së Ministrisë së Brendshme.
“Një akt sakrifice u krye kundër Ministrisë së Brendshme turke nga një grup i lidhur me Brigadën e të Pavdekshmëve”, tha grupi i armatosur për median e lidhur me kurdët ANF.
PKK është klasifikuar si organizatë terroriste nga Turqia dhe shumë vende perëndimore.bw
Automjete të ushtrisë serbe duke lëvizur nga Vranja drejt Nishit, në jug të Serbisë, 30 shtator 2023.
Të shtunën është vërejtur lëvizja e një autokolone ushtarake në jug të Serbisë, nga drejtimi i Vranjës në drejtim të Nishit, afër qytetit të Predejanës, pas shqetësimeve që Uashingtoni dhe Brukseli shprehën për zhvendosjen e forcave serbe përgjatë kufirit me Kosovën.
Qyteti i Predejanit ndodhet 300 kilometra në jug të Beogradit dhe rreth 100 kilometra nga pikëkalimi më i afërt kufitar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Merdarë.
Kolona me automjete të ushtrisë serbe, siç thekson reporteri i Radios Evropa e Lirë, rreth mesditës po lëvizte nga jugu në veri të vendit.
Zhvendosja trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen rreth një javë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.
Mesazhe nga SHBA dhe BE
Shtetet e Bashkuara (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë shprehur shqetësimin e tyre për vendosjen e trupave serbe pranë kufirit me Kosovën.
Gjatë një bisede me gazetarët më 29 shtator, koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.
Një ditë më vonë, kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, theksoi se BE-ja është shumë e shqetësuar për forcimin e pranisë ushtarake të Serbisë përgjatë kufirit dhe tha se kjo është “shqetësuese dhe duhet të ndalet menjëherë”.
Cili është reagimi i Beogradit?
Megjithatë, Serbia pretendon se nuk e ka ngritur nivelin e gatishmërisë luftarake.
Në një deklaratë për media më 29 shtator, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se “ka të pavërteta për nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake të Serbisë”, pasi, siç pretendon, ai nuk e ka miratuar këtë.
Pas sulmit ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, Ushtria Serbe përmes një komunikate për media (27 shtator) njoftoi se ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, i vizitoi njësitet e ushtrisë “në zonën e dislokimit të tyre” atë ditë, por pa saktësuar se në cilën pjesë të Serbisë.
Ushtria serbe ka dislokuar trupat e saj përgjatë kufirit me Kosovën, pas sulmit ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, e cila mohon çdo lidhje dhe njoftoi se do ta hetojë njërin prej liderëve kryesorë të serbëve të Kosovës, Millan Radoiçiq, i cili e mori përgjegjësinë e plotë për sulmin, sipas avokatit të tij.
REL-i i dërgoi pyetje Ministrisë së Mbrojtjes në Qeverinë e Serbisë për paralajmërimet e Uashingtonit dhe mbi çfarë baze ushtria po grupohet rreth kufirit nëse – siç tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq – ai nuk e nënshkruan ngritjen e gatishmërisë luftarake, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.
Goran Petronijeviq, avokat i nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Goran Petronijeviq, avokat i nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, do ta mbajë të premten një konferencë për media në Beograd, sipas faqes së Qendrës Mediale në kryeqytetin e Serbisë.
Mediat serbe janë duke raportuar se Petronijeviqi do ta lexojë një letër të Radoiçiqit për publikun.
Kjo do të jetë hera e parë që Radoiçiqi reagon publikisht, pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra një zyrtar policor.
Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur tre sulmues.
Radoiçiq është akuzuar nga autoritetet e Kosovës se ka organizuar dhe ka qenë pjesë e sulmeve ndaj Policisë në Banjskë.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka publikuar një pamje me dron, duke thënë se njëri prej burrave – që shihet i veshur me uniformë me armë në dorë – ka qenë vetë Radoiçiq.
Deri më tani, deklarimet e tij për publikun janë përcjellë gjithmonë nga Lista Serbe.
Kjo parti nuk është deklaruar rreth akuzave të autoriteteve të Kosovës ndaj Radoiçiqit, i cili është në arrati.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit, dhe e ka mohuar përfshirjen e shtetit të tij në këtë sulm.
Kush është Petronijeviq, i autorizuari i Radoiçiqit?
Petronijeviq ka qenë “vëzhgues” në zgjedhjet e mbajtura javë më parë nga autoritetet ruse në territoret e pushtuara ukrainase.
Përgjatë regjimit të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, ai ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Pejës në Kosovë.
Në atë pozitë, në maj të vitit 2000, ai i ka dënuar 150 shqiptarë të Kosovës me një total prej 1.600 vjetëve burgim nën dyshimet për kryerje të terrorizmit.
Ai është larguar nga pozita e gjyqtarit pas ndryshimeve demokratike të 5 tetorit në Serbi, dhe më pas e ka ushtruar profesionin e avokatit.
Para gjykatës ndërkombëtare, ai i ka përfaqësuar disa klientë nga Serbia, të akuzuar për krime lufte.
Më i famshmi është Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjykatën e Hagës për krime lufte.
Para Tribunalit në Hagë, ai e ka mbrojtur gjithashtu ish-oficerin e ushtrisë jugosllave, Veselin Shlivançanin, i cili është dënuar për krime lufte në Ovçara afër Vukovarit.
Në mesin e gushtit, Petronijeviq ka njoftuar për një iniciativë për ta mbrojtur Millorad Dodikun, presidentin e entitetit Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës.
Më herët Prokuroria e Bosnjës ka ngritur aktakuzë kundër Dodikut për mosbindje ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, gjendet në Serbi dhe do të merret në pyetje nga organet serbe.
“Ai definitivisht do t’i përgjigjet ftesës nga autoritetet kompetente në Serbi. Republika e Serbisë dhe autoritetet kompetente do të bëjnë punën e tyre”, tha ai.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, Vuçiq tha se Radoiçiqi gjendet në territorin “e Serbisë qendrore” dhe mohoi se është i plagosur.
Kosova ka akuzuar Radoiçiçin se ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në sulmin më 24 shtator ku u vra një polic i Kosovës dhe tre sulmues të dyshuar.
“Millan Radoiçiç kurrë nuk është fshehur, kurrë nuk është turpëruar për rolin e tij… në diçka që ka ndodhur që nuk është në të mirë të Serbisë apo që nuk i ka sjell dobi Serbisë”, tha ai.
“Ai e konsideron veten luftëtar të lirisë, ai kurrë nuk ka hequr dorë nga shokët e tij dhe kurrë nuk do ta bëjë, por ka gjëra dhe pyetje që ai duhet t’iu përgjigjet”, tha presidenti serb.
Për pjesëmarrjen e pretenduar të Radoiçiçit në sulmin ndaj Policisë – i cili është nën sanksione amerikane dhe kërkohet në Kosovë për frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si Brezovica – ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar edhe një video të incizuar me dron, që tha se e shfaq zyrtarin e Listës Serbe në Banjskë.
I pyetur për vërtetësinë e videos dhe nëse Radoiçiç ishte në Banjskë, Vuçiç tha se kjo do të përcaktohet nga autoritetet kompetente.
Kur u pyet për qëllimin e grupit të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës, Vuçiç tha:
“Si mund ta di këtë, por jam i sigurt se ata shkuan të ruanin shtëpitë e tyre dhe u përgatitën për sulme në të ardhmen”.
Natasha Kandiç, aktiviste e shquar serbe e të drejtave të njeriut dhe themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare vazhdon reagimet e saj rreth situatës në veri të Kosovës:
“Kryeministrja thotë se @avucicparalajmëroi se do të ketë konflikt,
ndërsa për sulmuesit në autoblinda thotë se “serbët rebelë po rezistojnë”
– është e qartë se gjithçka është e përgatitur në Serbi.
Le të mos e përmend më përkushtimin për paqen dhe se fajin për gjithçka e ka Kurti.”
Premijerka kaže da je @avucic upozoravao da će do sukoba doći, a on o napadačima u blindirano vozilu kaže “pobunjeni Srbi pružaju otpor” – jasno je da je sve pripremljeno u Srbiji. Neka više ne pominje posvećenost miru i da je Kurti za sve kriv.
Trajkoviq: Kam informacione se janë vrarë më shumë se tre serbë, dikush negocioi për ta nxjerrë atë grup nga Kosova – Gazeta Express
“Ku është heroi më i madh i serbëve nga Kosova, siç e quajti presidenti”, pyeti Trajkoviç, duke i kujtuar asaj se ai është në listën e zezë për shkak të dyshimit se ka marrë pjesë në organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe është i lartë në krimet transnacionale. .Që nga vrasja e Oliverit ne kemi kërkuar që ata të izolohen, por ata janë mbështetur dhe financuar gjithnjë e më shumë, thekson Trajkoviq.
—–
Duke komentuar sulmet e formacioneve ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve të Kosovës, njëherësh edhe këshilltarja e ministrit për Komunitete e Kthim në Qeverinë e Kosovës, Rada Trajkoviq, ka thënë se në veri po zhvillohet “një luftë e pamëshirshme”.
Trajkoviq, ka shtuar Beogradi nuk ishte i befasuar nga konflikti i 24 shtatorit, që ndodhi në fshatin Banjskë, të Zveçanit (mes policisë dhe formacionit kriminal).
Këshilltarja në Qeverinë e Kosovës ka theksuar se dikush ka negociuar për të nxjerrë atë formacion kriminal prej Kosovës.
“…Është mirë që dikush negocioi dhe punoi për ta nxjerrë atë grup nga Kosova”, ka thënë ajo për “N1“.
Sipas saj, ka shumë gjasa që përfaqësuesit ndërkombëtarë në thelb kanë ndihmuar në nxjerrjen e njerëzve që ishin të vendosur të luftonin deri në fund.
“Përgatitja e policisë së Kosovës është në nivel të lartë, si mendoni se do të dukej Serbia sot po të kishim 30 serbë të vrarë, në anën tjetër shqiptarë të vrarë. “Çfarë do të ishte kjo?” pyeti ajo.
Sipas saj, pjesëtarët e policisë së Kosovës sigurisht që nuk do të punonin në një plan për nxjerrjen e njerëzve që vranë kolegun e tyre.
“Ata mund të jenë vetëm në Serbinë qendrore dhe të merren nga autoritetet e sigurisë – BIA, policia, gjyqësori, në mënyrë që të kryhen procedura që do t’i thërrasin këta njerëz në përgjegjësi”, ka thënë Trajkoviq, duke theksuar se shteti përgjegjës duhet të përcaktojë kush qëndron pas tyre.
Ai projekt, beson ajo, është drejtpërdrejt në dëm të Serbisë dhe serbëve në Kosovë e Metohi.Ajo e pyeti kryeministren serbe Ana Brnabiq se pse projektet më fitimprurëse ua jep Milan Radoiçiqit dhe Zvonk Veselinoviqit, të cilët, siç thotë ajo, “kanë fuqi financiare për të furnizuar njerëzit me uniforma, armë dhe mjete të blinduara jashtë shtetit”.Njëri nga ata, identiteti i të cilit u zbulua – Spaleviq, sipas Rada Trajkoviçit, është 23 vjeç dhe kur Vuçiq erdhi në pushtet dhe u organizua dhe filloi të punojë në Kosovë, ai ishte 13 vjeç.“Radoiçiq rekrutonte njerëz me kulturën e tij mafioze të sjelljes.“Ku është heroi më i madh i serbëve nga Kosova, siç e quajti presidenti”, pyeti Trajkoviç, duke i kujtuar asaj se ai është në listën e zezë për shkak të dyshimit se ka marrë pjesë në organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe është i lartë në krimet transnacionale. .Që nga vrasja e Oliverit ne kemi kërkuar që ata të izolohen, por ata janë mbështetur dhe financuar gjithnjë e më shumë, thekson Trajkoviq.
Trajkoviq ka thënë se në veri të Kosovës po zhvillohet një “luftë e pamëshirshme” dhe se Beogradi nuk ishte i befasuar nga sulmi i së dielës, por e pa se “aksioni nuk ishte i përgatitur sa duhet dhe se do t’i shkaktonte një goditje të madhe Beogradit”.
“Prandaj kishte heshtje, prandaj të gjithë hoqën dorë nga serbët nga Kosova, fjalë për fjalë i lanë të vetëm”, citohet të ketë thënë Trajkoviq për ngjarjet në veri të Kosovës në fshatin Banjskë
“Sot kemi tre serbë të vrarë, ka zëra për më shumë, kam informacione që thonë se ka më shumë”, citohet të ketë thënë më tej ajo./Gazeta Express
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (djathtas) dhe ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko, një ditë pas sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.
“Jam mirënjohës që (ambasadori rus) i dëgjoi lutjet dhe kërkesat e palës serbe”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram më 25 shtator.
Ai nuk ka dhënë hollësi se për çfarë kërkesash bëhet fjalë.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, më 24 shtator. Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, vdiq nga plagët e marra në sulm, konfirmuan autoritetet.
Autoritetet kosovare thanë se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar. Rreth 30 sulmues ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.
Të dielën, Vuçiqi e fajësoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke thënë “disa serbë të Kosovës” u rebeluan duke ngritur barrikada “duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Kurtit”.
Kryeministri i Kosovës Kurti, ndërkohë, tha se sulmi është mbështetur nga Serbia.
“Bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist, i cili e ka planifikuar dhe përgatitur gjatë këtë çfarë ka kryer sot dhe që nuk paraqet një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht e logjistikisht nga Beogradi zyrtar”, tha Kurti.
Ky incident rreth dy javë pasi Kurti dhe Vuçiqi dështuan të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian më 14 shtator në Bruksel.
Prishtina beson se duhet të jetë një njohje reciproke, ndërsa Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008, dhe ka mbështetjen e aleatëve Rusisë dhe Kinës kundër saj për këtë.rel
Natasha Kandiç, veprimtare serbe e shquar e të drejtave të njeriut dhe themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, i është bashkuar situatës në veri të Kosovës me reagimet e saj në Twitter.
Ja disa thekse të Zonjës Kandiç:
“Në këtë moment, nuk është normale që @avucicpërsërit se Serbia nuk do ta njohë Kosovën dhe se serbët u rebeluan.Ai ende thotë se do të jetë më keq. Vuçiq duhet t’ju bëjë thirrje serbëve të dorëzojnë armët.”
“Le të përgjigjet Presidenti i Serbisë se kush i organizoi barrikadat dhe dhjetëra serbë, ku i morën armët dhe uniformat!”
Da predsednik Srbije odgovori ko je organizovao barikade i desetine Srba, otkuda im oruzje i uniforme.
U ovom trenutku nije normalno da @avucic ponavlja da Srbija nece priznati Kosovo i da su se Srbi pobunili. Jos kaze da ce biti losije. @avucic da pozove Srbe da predaju oruzje.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, fajësoi të dielën në mbrëmje kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për situatën në veri, ndërsa akuzoi forcat paqeruajtëse të NATO-s se i dhanë lejen policisë së Kosovës të vrasë grupin e serbëve që vrau një pjesëtar të policisë.
Në një konferencë me gazetarë të dielën në mbrëmje, zoti Vuçiç tha se serbë nga Kosova e jo nga Serbia “ngritën krye duke mos dashur të vuajnë më nën terrorin e Kurtit” dhe “ishte vetëm çështje kohe kur ata që ndiqeshin nga policia do të provonin të bëjnë diçka për veten dhe familjet e tyre”, tha ai.
“Nuk dua të arsyetoj vrasjen e policit. Është për t’u dënuar dhe nuk i duhet askujt, më së paku serbeve kur dihet se Kurti është shkaktari i kaosit në Kosovë”, tha Presidenti i Serbisë.
Ai tha se tre serbë u vranë, ndërsa shfaqi dyshimet edhe nje tjetër mund të ketë humbur jetën gjatë përleshjeve.
“Për një orë e 20 minuta ata ishin nën rrethim të plotë dhe mbi ta është kryer sulm brutal”, tha presidenti serb duke nënvizuar se “KFOR-i u dha dritën e gjelbër” forcave të policisë së Kosovës për vrasjen e tyre.
“Fajtori i vetëm është Albin Kurti” përsëriti disa herë presidenti serb, duke theksuar se “Dëshira e vetme e Kurtit është të na fus në luftë me NATO-n”.
Ai hodhi poshtë mundësinë që ushtria apo policia e Serbisë të jenë përfshirë në ngjarjet e së dielës.
Ai u bëri thirrje qytetarëve serbë “për qetësi dhe përmbajtje”, ndërsa komunitetit ndërkombëtar të “themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe që veri serbët të jenë në polici, sepse kjo është e vetmja mënyrë që serbët të mos dëbohen nga vatrat e tyre apo që të mos ketë konflikte”.
Serbia tha ai, është e gatshme për bisedime “por kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”.
Beogradi i mbështetur nga Moska kundërshton shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s që u dha fund mizorive të forcave serbe mbi shqiptarët gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka akuzuar vendet e Perëndimit se kanë “shkelur brutalisht” Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 12 44, duke e njohur pavarësinë e Kosovës dhe duke “i mohuar të gjitha parimet që sot po i mbrojnë”.
Megjithatë, ai theksoi gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së se Serbia dhe të gjitha institucionet e saj po punojnë për ruajtjen e dialogut me Prishtinën nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian(BE).
“Kjo është detyra jonë. Dialogu është i mundur vetëm nëse ne të gjithë, duke përfshirë edhe ndërmjetësit evropianë, i përmbahemi fort asaj për të cilën është rënë dakord. Mosbalancimi, të cilit Serbia duhet të dorëzohet përgjithmonë, nuk çon në zgjidhjen e problemit”, tha Vuçiçi.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008.
“Këtu, në këtë sallë, vetëm dy ditë më parë, e dëgjuam presidentin e Shteteve të Bashkuara [Joe Biden], duke folur për parimin më të rëndësishëm në marrëdhënie mes vendeve, për respektin e integritetit të tyre territorial dhe sovranitetin… i vetmi telash në këtë ishte se vetëm pak orë pas fjalimit të tij, ai e takoi presidenten e të ashtuquajturës Kosovë, e cila cilësohet nga vendet më të fuqishme të Perëndimit si presidente e një vendi të pavarur, e dalë nga territori i Republikës së Serbisë”, u shpreh presidenti i Serbisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të enjten se presidenti i Biden ka dhënë garanci të fuqishme për mbështetjen e vazhdueshme amerikane për Kosovën.
Rezoluta 12 44 e Kombeve të Bashkuara, së cilës iu referua Vuçiçi, i dha fund luftës në Kosovë. Ndër të tjera, rezoluta parasheh mandatin e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, me qëllim të mbrojtjes së të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Policia serbe dhe ushtria jugosllave u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999 pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila u dha fund bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.
Bombardimi u iniciua për shkak të krimeve të kryera nga forcat ushtarake dhe policore serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. Zyrtarë të lartë serbë u dënuan për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë para gjykatës ndërkombëtare në Hagë.
Në kontestimin e pavarësisë së Kosovës, Serbia ka mbështetjen e Rusisë dhe Kinës, anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me të drejtën e vetos.
Gjatë fjalimit, Vuçiçi e akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për rritje të dhunës me motive etnike kundër serbëve.
“Sot në Kosovë, provincën jugore të Serbisë, po ndodh dhunë e hapur ndaj serbëve nga autoritetet separatiste të Albin Kurtit… vetëm një ditë më vonë, një kontingjent i serbëve u dërguan në burgjet e Kurtit, të arrestuar në bazë të akuzave të fabrikuara në kuadër të fushatës së tij të territorit”, tha ai.
Vuçiçi duket se iu referua arrestimit të tre serbëve, të mërkurën, nën dyshimin për krime lufte të kryera gjatë luftës së vitit 1998-1999 në Kosovë./REL/
Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Angelo Ristuccia në Beograd.
Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Angelo Ristuccia, ka thënë të martën se gjithçka që lidhet me sigurinë në Kosovë, duhet të bëhet në koordinim me këtë mision.
Në një konferencë për media në Beograd, ai u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse duhet kërkuar leja e KFOR-it kur është fjala për dërgimin e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës në veri.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, ka thënë më 7 shtator, pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani se dhjetë vjet më parë, Kosova është zotuar për të mos e angazhuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në veri, pa konsultim paraprak dhe miratim të komandantit të KFOR-it.
“Në përputhje me obligimet e Prishtinës më 2013, çdo angazhim i Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri kërkon negociata me KFOR-in. Ne presim konsultime për çdo veprim të forcave speciale të Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në siguri”, ka thënë Stoltenberg atë ditë.
Ristuccia ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë është “shumë të paqëndrueshme” dhe që gjendja mund të përshkallëzohet shpejt.
Ai ka vlerësuar se ngjarjet që kanë kërcënuar me dëmtim të sigurisë, janë pasuar me përpjekje të mëdha ushtarake dhe diplomatike për të krijuar një situatë më paqësore dhe të balancuar.
“Ato vetëm e konfirmojnë që zgjidhjet politike mund të rezultojnë me paqe afatgjatë dhe stabilitet në atë zonë. Shumë ngjarje, sidomos ato të 29 majit, e konfirmojnë se zgjidhjet politike janë të nevojshme. Kjo është arsyeja pse NATO-ja dhe KFOR-i e mbështesin plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”.
Ai ka thënë se qasja konstruktive nga të dyja palët është kyçe për t’i krijuar kushtet e nevojshme për siguri të përhershme në Kosovë dhe në rajon, për të mirën e të gjithëve dhe të gjeneratave të reja.
Situata në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, është tensionuar në fund të majit, pasi disa grupe lokale serbe kanë protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit në veri janë bojkotuar nga serbët lokalë.
Situata në veri, me raste, është përshkallëzuar në dhunë.
Situata më kritike është regjistruar më 29 maj, kur dhjetëra ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të plagosur.
Autoritetet e Kosovës janë duke kryer hetime për të vërtetuar se kush është përgjegjës për dhunën.
Përshkallëzimi i situatës është dënuar nga zyrtarët në Bashkimin Evropian, i cili e ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve.
Dhuna është dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara, derisa KFOR-i ka marrë vendim për rritje të prezencës së tij në Kosovë.
Drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, është futur në listën e sanksioneve amerikane.
Kështu bëri të ditur Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit, në korrik të këtij viti.
Por duket se kjo gjë nuk e pengon Christopher Hill, ambasador i ShBA në Beograd, të jetë pjesë në një aktivitet të përbashkët me Vulin.
Një foto, e cila po qarkullon në rrjet, tregon pjesëmarrjene tij në një takim, ku Hill po mban një fjalim dhe Vulin është një dëgjues i vëmendshëm i rreshtit të parë.syri.net
Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit në Greqi, Yannis Oikonomou do të takojë ditën e nesërme kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin i cili ndodhet në burg pasi akuzohet për vjedhje votash.
Yannis Oikonomou do të udhëtojë drejt vendit tonë, për të marrë pjesë në Konferencën e organizuar në kuadër të Procesit të Berlinit.
Mediat greke kanë publikuar edhe agjendën e ministrit grek;
Agjenda e Yannis Oikonomou;
-10:20 Takim me Ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Z. Taulant Balla
-12:30 Takim me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, z. Anastasio
-14:00-18:00 Konferenca Ndërministrore
Seksionet e konferencës janë si më poshtë:
-Menaxhimi i integruar i kufijve në Ballkanin Perëndimor
-Bashkëpunimi rajonal në luftën kundër krimit të organizuar
-Bashkëpunimi kibernetik në Ballkanin Perëndimor
-Takim në burg me kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Një ngjarje e rëndë tronditi dje Greqinë, ku 6 persona u gjetën të pajetë në një makinë dhe jashtë saj. Teksa u tha se viktimat ishin të gjithë shqiptarë, të tjera detaje dalin në dritë në mediat greke, që rrëzojnë të dhënat e para. Nga hetimet e autoriteteve greke, rezulton se viktimat ishin turq me origjinë kurde, të pajisur me dokumente franceze. Ndërkohë, ka gjasa që konfuzioni se mund të ishin shqiptarë, ishte fakti se brenda mjetit u gjetën dhe disa pasaporta shqiptare, që mendohet se kanë qenë false.
Hetimi i autoriteteve për identifikimin e plotë të tyre është ende në vazhdim, për të përcaktuar nëse sendet e identifikimit që dyshohet se janë gjetur në zotërim të viktimave janë origjinale apo false. Ato që janë padyshim false, sipas policisë, janë targat gjermane të makinës Ford, të cilat dyshohet se janë ngjitur në makinë.
Sipas informacioneve, skenari i konsideruar si më i mundshmi nga autoritetet është se bëhet fjalë për një larje hesapesh, lidhur me një rast droge. Agresorët dhe viktimat njiheshin me njëri-tjetrin dhe duket se në fakt, të parët i kanë ngritur pritën e vdekjes me targa false gjashtë viktimave. Skenari i pritës së vdekjes përforcohet nga pozicioni në të cilin janë gjetur viktimat (brenda makinës). Sipas informacioneve, në vendngjarje janë gjetur 25 gëzhoja, ndërsa policia është vënë në kërkim të një veture të zezë dhe një motoçikletë.bw
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 8 shtator se nuk ka kurrfarë diskutimesh lidhur me atë që serbët në veri të Kosovës “t’ua lëshojnë ndërtesat dhe pronat atyre të cilëve ato nuk iu përkisnin kurrë”.
Ai i bëri këto deklarata në ditën kur skadon afati për largimin e katër institucioneve të Serbisë nga një ndërtesë komunale në Mitrovicë të Veriut.
“Ne kemi treguar vullnet të mirë, kemi biseduar me përfaqësuesit e serbëve që të pranojnë dialogun për mbajtjen e zgjedhjeve në veri”, tha Vuçiq.
Ai tha se të mërkurën ose të enjten e javës së ardhshme, delegacioni i Serbisë do të shkojë në Bruksel për bisedime me delegacionin e Kosovës, takim në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Është obligim për ne. Ne gjithmonë e kemi konsideruar dialogun si mënyrën e vetme për të zgjidhur problemet, dhe problemet vetëm po akumulohen”, tha Vuçiq.
Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se deri më 8 shtator, katër institucione serbe duhet të largohen nga një objekt në Lagjen e Boshnjakëve, pasi kanë argumentuar se i përket komunës së Mitrovicës së Veriut.
Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale prej kohësh përdorin këtë ndërtesë komunale.
Një aksion për largimin e këtyre institucioneve të Serbisë nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut, fillimisht ishte paraparë të zhvillohej më 25 gusht, por ishte shtyrë për dy javë.
Para kësaj, inspektorati komunal u kishte dërguar këtyre institucioneve një paralajmërim që të lironin zyrat pasi ato nuk kishin dorëzuar dokumente apo kontrata për të dëshmuar se kanë leje ta shfrytëzojnë objektin.
Zyra për Kosovën, por edhe Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – ditëve të fundit janë shprehur kundër largimit të institucioneve serbe nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut.
Autoritetet në Mitrovicë të Veriut kanë argumentuar se objekti u përket atyre dhe se i njëjti duhet të lirohet për shkak të disa “punimeve”. Megjithatë, në një deklarim të mëhershëm për REL-in, ato nuk specifikuan për çfarë lloj punimesh bëhet fjalë.
Mitrovica e Veriut gjendet në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe. Kjo komunë, së bashku me tri komuna të tjera në veri, që nga prilli kanë kryetarë shqiptarë, të cilët u zgjodhën në votimet e bojkotuara nga popullata serbe.
Në fund të majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën, pasi kryetarët e rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.
Në kuadër të hapave të ndërmarrë për shtensionimin e tensioneve, autoritetet në Kosovë kanë prezantuar një bazë ligjore që do të mundësonte largimin e kryetarëve të komunave përmes një peticioni.rel
Një qytet i mbytur në baltë është imazhi i Volos, i kapur nga kamera e dronit. Mbi 200,000 njerëz në Volos dhe në periferi në Agria dhe Lechonia janë përballur me pasoja të rënda si pasojë e motit të keq.
Pa energji elektrike për shumë orë, pa ujë të pijshëm, pa transport, telekomunikacion dhe internet, situata në Volos është e pashpresë për banorët. Banorët e Magnezisë po shohin qiellin, pasi qyteti nuk mund të përballojë një tjetër fatkeqësi natyrore.
Sipas buletinit të përditësuar të EMY , moti i keq “Daniel” do të vazhdojë deri të enjten pasdite. Konkretisht, reshje të dendura shiu dhe stuhi parashikohen në Thesali, Sporada, Sterea qendrore dhe lindore (kryesisht prefekturat Evrytania, Fthiotida) dhe Evia veriore.
Presidenti i serbëve të Bosnjës Milorad Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me Putinin, është përpjekur hapur të ndajë territoret serbe të Bosnjës nga pjesa tjetër e Bosnjës dhe t’i bashkojë ato me Serbinë fqinje.
Qindra serbë të Bosnjës valëvitën flamujt e Serbisë dhe Rusisë dhe parulla të presidentit rus Vladimir Putin të premten kur organizuan një protestë në mbështetje të liderit të tyre separatist që kërkon bashkimin me Serbinë fqinje.
Protestat u mbajtën në kufirin e brendshëm të pashënuar të Bosnjes që e ndan vendin në dy entitete – Republika Serbe e Bosnjës dhe federata Boshnjako-Kroate – siç kërkohet sipas marrëveshjes së paqes të ndërmjetësuar nga SHBA që i dha fund luftës së vendit 1992-95.
Protestuesit serbë kanë brohoritur me parulla kundër Bosnjës që të bëhet shtet i vetëm. Ata bllokuan për pak kohë trafikun mes dy subjekteve, por nuk u raportuan incidente të mëdha.
“Ne kemi qënë gjithmonë në anën e fituesve,” tha Ljubisa Cosic, një zyrtar serb i Bosnjës. “Ne kemi qenë gjithmonë në anën e lirisë. Kështu që lidhja jonë me Federatën Ruse dhe popullin rus është e madhe.”
Presidenti i serbëve Bosnjës, Milorad Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me Putinin, është përpjekur hapur të ndajë territoret serbe të Bosnjës nga pjesa tjetër e Bosnjës dhe t’i bashkojë ato me Serbinë fqinje. Për shkak të kësaj, ai u sanksionua nga SHBA në 2017.
Ekziston frika e përhapur se Serbia, një aleate e Rusisë, mund të ndezë tensionet në Ballkan për të larguar të paktën një pjesë të vëmendjes së botës nga lufta në Ukrainë.
Prokurorët boshnjakë janë në procesin e ngritjes së akuzave kundër Dodikut për veprimet e tij separatiste dhe për kundërshtimin e vendimeve të një zyrtari ndërkombëtar që mbikëqyr paqen në vend.
Ai mund të përballet me deri në pesë vjet burg nëse dënohet nga një gjykatë boshnjake për këto akuza.
Miratimi i një ligji që kriminalizon shpifjen në Republikën Serbe të Bosnjës, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Aid Mershiç ka përfshirë në debate të ashpra ligjvënësit opozitarë, vëzhguesit e medias dhe Bashkimin Evropian.
Gazetarët në të gjithë Bosnjën po punojnë nën hijen e një ligji të ri për shpifjen që rrezikon t’i përndjekë ata penalisht.
Qeveria thotë se ligji i ndryshuar është për të parandaluar dezinformimin.
Por gazetarët, aktivistët e të drejtave civile dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar se ndryshimet do të kufizojnë lirinë e medias dhe do t’i vënë në rrezik gazetarët.
“Është krijuar një mjedis ku gazetarët konsiderohen si kriminelë, që gënjejnë dhe dezinformojnë publikun, se nuk duhet t’u besohet dhe se ndonjëherë lejohet sulmi ndaj tyre”, thotë Sinisha Vukeliç, Kryetar i Klubit të Shtypit të Banja Lukës.
Në parlamentin rajonal të Republikës Serbe të Bosnjës, pjesëtarët e opozitës gjithashtu kritikuan ndryshimet.
“Me këtë ligj sigurisht që po kthehemi 10 hapa pas dhe ky është padyshim fillimi i një diktature”, thotë Milan Petroviç nga Partia Demokratike Serbe.
Borka Rudiç, kryetare e shoqatës së gazetarëve të vendit, thotë se disa pjesë të Bosnjës janë tashmë një mjedis i vështirë për mediat.
“Republika Serbe po bëhet, ose tashmë është, një vrimë e errët kur bëhet fjalë për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mendimit”, thotë për Zërin e Amerikës, Borka Rudiç, kryetare e Shoqatës së Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Presidenti i qeverisë rajonale i ka hedhur poshtë shqetësimet.
“Kjo nuk ka për qëllim shuarjen e lirisë së medias, lirisë së fjalës, por është kundër spekulimeve dashakeqe për abuzim me hapësirën publike dhe median”, thotë Presidenti i qeverisë rajonale, Radovan Vishkoviç.
Deri kur ligji rajonal u miratua në muajin korrik, shpifja ishte një çështje civile. Por tani gazetarët rrezikojnë gjoba deri në 3200 dollarë dhe veprime të tjera ligjore që mund ta bëjnë më të vështirë hulumtimin e çështjeve të ndjeshme.
Aleksandar Zholja është pjesë e Asamblesë Qytetare të Helsinkit, një organizatë joqeveritare që avokon për një shoqëri civile më të fortë. Ai thotë se bërja e shpifjes një vepër penale në Republikën Serbe krijon mundësinë që mediat e akuzuara për shkelje të kontrollohen.
“Procedura penale është e ndryshme nga ajo e kundërvajtjes. Ata mund të vijnë në redaksi, të marrin telefonat, kompjuterët tanë, të shohin kontaktet, korrespondencën e gazetarëve. Këto të dhëna duhet të mbrohen”, thotë Aleksandar Zholja nga Asambleja Qytetare e Helsinkit.
Attila Mong nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se ligjet penale për shpifjen që synojnë gazetarët nuk kanë vend në një demokraci.
“Ka shumë mënyra të tjera për të mbrojtur reputacionin e dikujt. Ka ligje civile, ligje për privatësinë apo për shpifjen. Pra, shpifja si vepër kriminale nuk është e nevojshme të përdoret kundër gazetarëve. Rreziku është se mund të abuzohet nga njerëz, veçanërisht individë dhe politikanë të fuqishëm”, thotë Attila Mong nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.
Bosnje-Hercegovina ka qenë vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që ka dekriminalizuar shpifjen më shumë se 20 vjet më parë. Por, vendimi i Asamblesë Rajonale të Republikës Serbe të Bosnjes e ndryshoi këtë.
Ligjvënësit e saj po hartojnë gjithashtu një ligj që synon organizatat joqeveritare që marrin fonde të huaja.
Presidenti Reublikës Serbe, Milorad Dodik, thotë se ky projektligj është i ngjashëm me Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të SHBA-së, i njohur si FARA.
Por ekspertët thonë se projektligji është më i afërt me reagimin që Rusia e ka pasur ndaj FARA-s, një ligj që është përdorur për të heshtur kritikët.
“Ligji që Dodiku thotë se është tërësisht amerikan, në fakt është një ligj absolutisht rus që ka ndryshuar prej vitesh. Prej kësaj u shkatërrua shoqëria civile në Federatën Ruse dhe mund të ndodhë edhe këtu”, thotë zoti Zholja nga Asambleja Qytetare e Helsinkit.
Kjo është hera e katërt që qeveria rajonale përpiqet të miratojë një ligj për agjentët e huaj. Përpjekjet e tjera u hodhën poshtë për shkak të presionit publik.
Rritja e numrit të rasteve të dhënies së shtetësisë së Republikës së Serbisë me procedurë të shpejtë qytetarëve nga Rusia, ka nxitur shqetësim në Bashkimin Evropian (BE). Në BE këtë e shohin edhe si rrezik në aspektin e sigurisë pasi qytetarët që posedojnë pasaporta të Serbisë mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian, duke iu përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë ka rikujtuar se Serbia, sikurse edhe vendet tjera të rajonit, duhet ta përshtatë politikën e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian.
“Komisioni Evropian është në dijeni për numrin e madh të shtetasve të Rusisë që janë vendosur në Serbi pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Si nga një vend kandidat, nga Serbia pritet që në mënyrë progresive të përshtatet me politikat dhe vendimet e Bashkimit Evropian. Komisioni është duke monitoruar me kujdes situatën dhe duke shkëmbyer informatat me autoritetet e Serbisë lidhur me praninë e shtetasve të Rusisë në Serbi”, ka thënë ky zëdhënës i Bashkimit Evropian.
BE-ja vazhdimisht ka kërkuar nga Serbia që të marrë parasysh shqetësimet e Brukselit dhe vendeve anëtare për rrezikun potencial që mund të krijojë prania e shtetasve të Rusisë në Serbi, e sidomos nëse ata do të pajisen me dokumente që iu mundësojnë udhëtim të papenguar në vendet e Bashkimit Evropian.
“Komisioni Evropian ka shprehur shqetësimin e vet për shkak të ndryshimeve të planifikuara në Ligjin për shtetësinë në Serbi dhe rrezikun politik dhe të sigurisë që paraqet për BE-në, duke marrë parasysh se shtetasit e Serbisë gëzojnë mundësinë e lëvizjes pa viza në BE. Komisioni Evropian ka kërkuar nga Serbia që t’i marrë parasysh këto shqetësime”, ka deklaruar ky zëdhënës i BE-së.
“Sipas propozimit për ligjin e ri për shtetësinë, në Serbi do të thjeshtëzohej procedura për dhënien e shtetësisë pas një qëndrimi të shkurtër kohor. Përmes procedurës së thjeshtësuar, qytetarët e vendeve të treta, të cilët në rrethana tjera do të kishin nevojë për vizë për të udhëtuar në BE, do të kenë mundësi të lëvizjes së lirë”, thuhet në reagimin e Bashkimit Evropian.
Komisioni Evropian thotë se do t’i vazhdojë kontaktet me autoritetet e Serbisë lidhur me këtë çështje.
Sipas një analize që ka bërë Radio Evropa e Lirë, në shtatë muajt e parë të këtij viti numri i qytetarëve rusë që kanë marrë shtetësi në Serbi, është sa numri gjatë tërë vitit 2022.
Ndërsa, numri i qytetarëve nga Rusia që u pajisën me shtetësi serbe me procedurë të thjeshtëzuar, është më i maadh sesa numri i të gjithë shtetasve të huaj së bashku.
Në vitin e pushtimit rus të Ukrainës, qindra mijëra rusë kërkuan qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Serbi.
Në vitin 2022, numri i shtetasve rusë që morën pasaportë serbe u trefishua në krahasim me vitin para pushtimit.
Ky trend vazhdoi edhe në vitin 2023.
Ligji për Shtetësinë i mundëson Qeverisë të japë shtetësinë me procedurë të veçantë në kushte të caktuara.
Siç përcaktohet në ligj, shtetësia jepet sipas asaj procedure nëse “pranimi në shtetësi do të përfaqësonte një interes” për Serbinë.
Sipas vendimeve të Qeverisë së Serbisë të publikuara në “Gazetën Zyrtare”, deri më 21 gusht shtetësinë serbe e kishin marrë 76 shtetas të nacionaliteteve tjera. Shumica e tyre vijnë nga Rusia.
Dy rrugë për shtetësinë serbe
Sipas Ligjit për shtetësinë, shtetasit e huaj mund të marrin nënshtetësinë e Serbisë në dy mënyra.
I huaji, të cilit i është dhënë qëndrimi i përhershëm në Serbi, me kërkesë personale, mund të marrë nënshtetësinë, me kusht që të jetë mbi 18 vjeç dhe i aftë për punë.
Gjithashtu, kushti është që ai të ketë lirim nga shtetësia e huaj, tre vjet qëndrim të vazhdueshëm të regjistruar në Serbi, si dhe të ketë dorëzuar një deklaratë me shkrim se Serbinë e konsideron shtet të tij.
Për pranimin e shtetësisë së Serbisë vendos Ministria e Punëve të Brendshme. Këto të dhëna nuk janë të qasshme për publikun.
Sipas nenit 19 të të njëjtit ligj, shtetësinë e Serbisë mund ta marrë edhe i huaji, i cili nuk i plotëson kushtet e kërkuara, por pranimi në shtetësi i të cilit do të “paraqiste interes” për Serbinë.
Më parë këtë vit, KE paralajmëroi se Serbia do të rrezikonte një regjim pa viza për shkak të procedurave të thjeshtëzuar për marrjen e shtetësisë serbe.
Serbia është ndër vendet e pakta në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe ka fluturime direkte me Moskën që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.
Serbia në të kaluarën ka pasur probleme në raporte me Bashkimin Evropian edhe për shkak të liberalizimit të vizave me disa shtete të treta si Irani, Tunizia, Kuba, Kina, Burundi dhe disa vende të tjera për qytetarët e të cilëve kërkohet viza për udhëtime në BE. Kjo ka ndikuar që qytetarët e këtyre vendeve të vijnë pa viza në Serbi dhe të kalojnë në vendet e BE-së ilegalisht duke shkaktuar rritje të numrit të azilkërkuesve nga këto vende.
Pas tërheqjes së vërejtjes nga BE-ja, se mund të ketë suspendim të liberalizimit të vizave për Serbinë, Beogradi ka filluar të përshtatet me politikën e vizave të BE-së dhe i ka kthyer vizat për qytetarët e këtyre shteteve. BE-ja kërkon edhe nga vendet tjera të rajonit që të kenë kujdes me ligjet për dhënien e shtetësisë të huajve dhe për regjimin e vizave.
Një zjarr masiv në pyjet pranë fshatit Sykorrahi, në rajonin Evros në Greqi, 23 gusht 2023.
Zjarret shkatërruese në Greqi do të shkatërrojnë më shumë se 150.000 hektarë tokë deri në fund të verës, vlerësoi më 31 gusht kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i cili fajësoi krizën klimatike për katastrofën me zjarre.
Ashtu si shumë vende rreth Mesdheut, Greqia është përfshirë nga zjarret masive që nga fillimi i verës. Deri më tani është raportuar për 26 njerëz të vdekur nga zjarret pyjore të shkaktuara nga kushtet e thata, erës dhe nxehtësisë.
Një zjarr masiv në pyllin e Dadias, të cilin Bashkimin Evropian e ka cilësuar si zjarrin më të madh të regjistruar ndonjëherë në bllokun evropian, po vazhdon të digjet për të 13-tën ditë.
Zona e djegur nga zjarret “do të kalojë 1 miliard e 500 milionë metra katrorë (apo 150 mijë hektarë), tha Mitsotakis në parlament.
“A është kriza klimatike alibi për gjithçka? Jo, nuk është alibi, por është pjesë e interpretimit”, tha ai.
Rreth 600 zjarrfikës, të mbështetur nga dhjetë avionë dhe shtatë helikopterë, po luftojnë me zjarrin, i cili shpërtheu më 19 gusht në një pyll të mbrojtur nga rrjeti evropian Natura 2000 dhe një habitat për shpendët grabitqarë.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha më 29 gusht se zjarri në Dadia është “zjarri më i madh i regjistruar ndonjëherë në BE”.
Blloku evropian dërgoi së fundmi 11 avionë, një helikopter dhe 407 zjarrfikës nga flota evropiane për ta ndihmuar Greqinë.
Ky zjarr ka djegur më shumë se 81.000 hektarë deri më sot, sipas Observatorit Evropian Copernicus, një hapësirë më e madhe sesa qyteti i Nju Jorkut.
Zjarrfikësit janë duke luftuar me zjarret në rajonet ku ato mbeten aktive, sipas autoriteteve.
Në korrik, kur Greqia u godit nga një valë e zgjatur e të nxehtit me temperatura që arrinin 46 gradë Celsius në jug të vendit, shpërthyen zjarre të shumta në pyje. Zjarret më të mëdha prekën ishujt turistikë të Rodosit dhe Korfuzit.rel