VOAL

VOAL

OKB – Ballkani Perëndimor në fund të shekullit 21 do të ketë ulje të popullsisë

Sipas raportit të OKB-së të publikuar në ueb faqen e OKB-së, popullsia e Shqipërisë në vitin 2100 do të jetë 1.75 milion

Në fund të shekullit 21 Republika e Maqedonisë do të ketë një milion e gjysmë banorë, ose gjysmë milioni më pak nga që ka sot, thuhet në raportin e fundit të Kombeve të Bashkuara për “Perspektivat e Popullsisë Globale”.

Sipas raportit në fjalë të publikuar në ueb faqen e OKB-së, Maqedonia zë vendin e 29-të në grupin e 43 shteteve që përballen me ulje të numrit të popullatës.

Maqedonia në vitin 1950 ka pasur 1.2 milionë banorë, thuhet në raport në të cilin shifra  e vitit 2015 është 2.078.000, numër ky që sipas vlerësimeve do të mbetet i pandryshueshëm edhe në vitin 2030.

Sipas raportit, në vitin 2050 numri i popullsisë në Maqedoni do të jetë më pak për 141.000 banorë, ose 6.8 përqind më pak se në vitin 2015. Në bazë të këtyre të dhënave në vitin 2050 Maqedonia do të ketë 1.9 milion banorë, ndërsa në fund të shekullit do të ketë vetëm 1.480.000.

Sa i përket vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, gati se të gjithë përballen me situatë të njëjtë.

Raporti i Kombeve të Bashkuara për “Perspektivat e Popullsisë Globale” parashikon që numri i popullatës në Shqipëri nga 2.89 milion banorë, në vitin 2100 të reduktohet në 1.75 milion.

BeH në vitin 2100 të ketë 1.91 milionë banorë, Kroacia e cila tani ka 4.24 milionë banorë, në 2100 do të ketë vetëm 2.61 milionë.

Numri i popullsisë së Malit të Zi nga  626 mijë do të reduktohet në 437 mijë banorë.

Serbia që aktualisht ka 8.58 milionë banorë, në fund të shekullit do të ketë 5.33 milionë, thuhet në raportin e Kombeve të Bashkuara.

Bora e parë edhe në Shkup, qytetarët i gëzohen peizazhit të bukur

SHKUP – Viti 2016 në Maqedoni filloi me reshje të borës. Moti me borë i cili gjatë ditës së sotme përfshiu edhe kryeqendrën e Maqedonisë, Shkupin, solli gëzim te qytetarët të cilët shfrytëzuan këto momente të rralla që i ofron bora për t’u zbavitur.

Ashtu si zakonisht, fëmijët edhe kësaj radhe shfaqen më të entuziazmuar nga fjollat e para të borës, ndërkohë të rinjtë bënin foto për ti shpërndarë pastaj në rrjetet sociale.

Ashtu siç informojnë nga Enti Hidrometeorologjik i Maqedonisë, reshjet e borës kanë përfshirë gati të gjithë vendin, si në Tetovë, Kodër të Diellit, Mavrovë, Dellçevë dhe Strumicë, etj.

Sa i përket komunikacionit Lidhja auto-moto e Maqedonisë informon se komunikacioni në të gjitha rrugët shtetërore po zhvillohet pa ndalesa dhe pa pengesa nëpër rrugë kryesisht të lagështa.

Stamboll, normalizohen fluturimet në aeroportin “Ataturk”

Autoritetet e aeroportit “Ataturk” kanë informuar se vonesat në disa fluturime janë shkaktuar si pasojë e kushteve të këqija të motit

 STAMBOLL – Normalizohen fluturimet në aeroportin “Ataturk” në Stamboll pas ndërprerjeve të shkaktuara nga reshjet e borës të cilat ishin efektive që prej 3 ditësh.

Nga aeroporti bëjnë ditur se në fluturimet e ditës së sotme nuk ka patur ndërprerje të tyre.

Autoritetet e aeroportit “Atatürk” kanë informuar se vonesat në disa fluturime të lira vendore dhe ndërkombëtare janë shkaktuar si pasojë e kushteve të këqija të motit.

Ekipet e Autoritetit të Administrimit të Aeroporteve Shtetërore kanë intensifikuar punimet e tyre për të larguar dëborën dhe për të mbajtur të hapura rrugët e taksive dhe mjediseve të caktuara.

Roja bregdetare turke shpëton 147 refugjatë

Roja bregdetare e Turqisë në dy operacione të ndryshme ka shpëtuar 147 refugjatë, ndërkohë që po tentonin të kalojnë në ishullin grek, Medilli

BALIKESIR – Roja bregdetare e Turqisë në dy operacione të ndryshme ka shpëtuar 147 refugjatë, ndërkohë që po tentonin të kalojnë në ishullin grek, Medilli.

Roja bregdetare turke ka ndërhyrë për shpëtimin e dy botëve të mbushur me klandestinë njëri në Ayvallık dhe tjetri në Dikili të Izmirit. Sipas informacioneve të marra në këto dy bote kishte 147 klandestinë të cilët ishin duke tentuar të kalonin drejt Greqisë.

Sipas informacioneve të marra nga gazetari i AA thuhet se klandestinët ishin me origjinë siriane dhe afgane. 147 klanestinët e nisur nga Ayvallık-u dhe Dikili ishin drejtuar drejt ishullit grek Midilli.

Burimet e rojes bregdetare thanë për gazetarin e AA se ekipet e shpëtimit të rojes bregdetare kanë ndërhyrë në kohë pasi dy botët isihn në rrezik fundosjeje.

Klandestinët e shpëtuar brenda të të cilëve kishte edhe fëmijë dhe gra i janë dorëzuar drejtoridsë policore të Ajvallık-ut. aa

Ish-anëtari i presidencës së Bosnjës akuzohet për krime lufte

Një ish-anëtar serb i presidencës së Bosnjës, është akuzuar për krime kundër njerëzimit si dhe për krime kundër kroatëve dhe boshnjakëve gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë.

Një prokuror boshnjak nga Departamenti për Krime Lufte, tha përmes një deklarate të lëshuar më 31 dhjetor, se Borislav Paravac, është i akuzuar së bashku me tre serbë të tjerë të Bosnjës.

Paravac, i cili ishte pjesë e presidences tre-anëtarëshe të Bosnjës nga viti 2003 deri në vitin 2006, është i dyti anëtar i presidencës që po akuzohet për krime lufte.

Momçillo Krajishnik, i dënuar me 20 vjet burg nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime lufte, është i pari.

Paravac dhe të tjetërt dyshohen për pjesëmarrje në “sulme sistematike” kundër civilëve kroatë dhe boshnjakë në veri të rajonit Doboj dhe Teslic të Bosnjës, në vitet 1992-1993.

Paravac ishte kryetar i bashkisë së Doboj në atë kohë.

Lufta në Bosnjë i ka lënë të vdekur më shumë se 100 mijë persona ndërsa zhvendosur më shumë se 2 milionë të tjerë.

Borë e madhe në Stamboll, anulohen fluturimet

Kompania ajrore turke Turkish Arirlines i ka anuluar 142 fluturime, drejt dhe nga Stambolli, për shkak të borës së madhe që ka rënë sot.

Shumica e fluturimeve të anuluara janë vendore por janë anuluar edhe fluturimet drejt Evropës dhe Lindjes së Mesme, duke përfshirë edhe Hamburgun, Milanon, Mynihun e Teheranin.

Kompania, përmes një komunikate të lëshuar, ka bërë me dije se borë edhe më e madhe si dhe acar, pritet të ketë edhe gjatë ditës së enjte.

Për këtë arsye, sipas kompanisë, janë anuluar fluturimet në të dy aeroportet, Ataturk dhe Gokcen.

Paralajmërimet se do të ketë borë të madhe janë bërë edhe nga Zyra e Guvernatorit të Stambollit, e cila ka kërkuar nga qytetarët që të dalin në qytet vetëm në rast të ndojë nevojë.

Bora që ka rënë sot, pritet të mos ndalet deri më 2 janar.

Më shumë se 1 mijë automjete të pastrimit janë duke e pasuruar rrugën dhe qindra të tjera po qëndrojnë në gjendje gatishmërie në mënyrë që sipas, Zyrës së Guvernatorit të Smabollit, të mos bllokohet komunikacioni.

Erdogani e akuzon Asadin për vrasjen e qindra mijëra njerëzve

Pak para nisjes për në Arabinë Saudite, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ka akuzuar presidentin e Sirisë si “i pamëshirë” i ka vrarë qindra mijëra njerëz ndërsa e ka kritikuar edhe Rusinë për mbështetjen ndaj presidentit sirian.

Erdogan ka folur para gazetarëve para se të nisej për në Arabinë Saudite ku gjatë ditës së sotme është takuar me Mbretin Selman me të cilin ka biseduar rreth luftës civile dhe energjinë.

Turqia dhe Arabia Saudite janë vende mbështetëse të militantëve që luftojnë kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad. Ky i fundit e ka mbështetjen nga Rusia dhe Irani.

Erdogan tha se qeveria e tij dhe Arabia Saudite janë duke punuar për gjetjen e një zgjidhje politike për Sirinë. Të dyja vendet janë pro një marrëveshje që do ta largonte Bashar al-Assadin nga pushteti.

Mediat në Arabinë Saudite kanë njoftuar se Erdgoan dhe Mbreti Selman kanë diskutuar mbi konfliktin në Siri dhe Irak si dhe për zhvillimet e fundit në Libi dhe Jemen.

Nikoliçi: Statusi i Kishës Serbe në Kosovë të jetë si i Vatikanit në Itali

Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliçi tha se ka propozuar që statusi i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë duhet të jetë i ngjashëm me atë Kishës Katolike në Itali.

Një gjë të tillë ai e ka bërë të ditur gjatë një interviste për B92 ku ka folur gjatë edhe për raportet me Kosovën.

“Në platformën time për Kosovën, kam paraparë një zgjidhje për KOS-in që do të duhej të ishte brenda autonomisë esenciale të Kosovës dhe Metohisë, e që nënkupton dhënies e Kishës statusin që e ka Vatikani në Itali”, ka thënë Nikoliq, transmeton Klan Kosova.

Ai bëri të ditur se ky propozim nuk është marrë parasysh fare nga qeveria ndërsa nuk e ka dërguar fare në Kuvend, pasi që ekzekutivi refuzoi të bëjë ndonjë koment rreth saj.

Bosnja: Nuk do të ketë njohje dhe heqje vizash për Kosovën, por do të vendosim regjim të rregullt

Ministri i Jashtëm paralajmëroi se qytetarët e Bosnjes përveç me pasaportë së shpejti në Maqedoni do të mund të udhëtojnë edhe me kartë identiteti

SARAJEVË – Nuk do të ketë njohje të Kosovës dhe as heqje vizash në vitin e ardhshëm, por planifikojmë që me Kosovën të vendosim regjim të rregullt vizash, ka konfirmuar për Anadolu Agency Igor Crnadak, ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjes.

“Ajo çfarë duam dhe planifikojmë të bëjmë është që regjimin e vizave me Kosovën, i cili është mjaft i ngurtë dhe parashikon që çdo vizë personalisht ta nënshkruajë ministri i Jashtëm, dhe sipas të cilit aplikimi për viza bëhet vetëm në tri vende, ta ndryshojmë dhe që përpunimin e kërkesave për viza të qytetarëve të Kosovës ta vëmë në regjim klasik vizash me procedurë klasike”, ka thënë Crnadak.

Kryediplomati vuri në dukje se “vizat për qytetarët e Kosovës ende do të vazhdojnë të lëshohen në një letër të veçantë”.

“Ne nuk i njohim as dokumentet e Kosovës, dhe në përputhje me përfundimet e Konferencës së Vjenës edhe kjo mënyrë e re do të jetë kontributi ynë për lëvizjen më të lehtë të njerëzve në rajon”, tha Crnadak.

Ai theksoi se deri më tani lëshimi i vizave për qytetarët e Kosovës është bërë në misionet diplomatike dhe konsullore të Bosnjës në Shkup, Tiranë dhe Podgoricë.

“Do të shikojmë që me këtë rregull të ri të hapet mundësia që në më shumë vende të aplikohet për viza, ndërsa përpunimi i vizave do të jetë në formën klasike konsullore, pa pasur nevojë që për çdo kërkesë të vendosë ministri i Jashtëm”, theksoi Crnadak.

Njëkohësisht, ministri i Jashtëm i BeH paralajmëroi se qytetarët e Bosnjes përveç me pasaportë së shpejti në Maqedoni do të mund të udhëtojnë edhe me kartë identiteti.

“Sipas informatave të fundit që kam, kjo është në fazën përfundimtare. Pasi që me letërnjoftimin e Bosnjës mund të udhëtohet në Serbi, Mal të Zi, por edhe në Shqipëri, me Maqedoninë do të rrumbullakosnim një pjesë të rajonit në kuadër të së cilit mund të udhëtohet me posedimin e letërnjoftimit”, ka thënë për AA ministri i Punëve të Jashtme Igor Crnadak.

Turqia dhe Serbia nënshkruan tri marrëveshje bashkëpunimi

Përfaqësuesit e qeverive të Turqisë dhe Serbisë, kanë nënshkruar sot në Beograd tri marrëveshje ndërshtetërore në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe kulturës

BEOGRAD – Përfaqësuesit e qeverive të Republikës së Turqisë dhe Republikës së Serbisë, kanë nënshkruar sot në Beograd tri marrëveshje ndërshtetërore në fushën e arsmit, shëndetësisë dhe kulturës.

Në prani të kryeministrit të Turqisë, Ahmet Davutoglu, i cili po qëndron në vizitë dy ditore zyrtare në Serbi dhe kryeministrit serb Aleksander Vuçiç, në pallatin ‘Serbia’ në Beograd u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi që ka të bëjë me bashkëpunimin në sferën e arsimit dhë përparimit shkencorë mes universitetit të Beogradit dhe Agjencisë së Turqisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar (TIKA).

Marrëveshja nga sfera e shëndetësisë u nënshkrua nga ministrat resor, Zlatibor Lonçar dhe Mehmet Muezzinoglu dhe nënkupton një donacion në vlerë prej 160 mijë doza të vaksinës kudër paralizës tek fëmijët.

Memorandumi për mirëkuptim lidhur me restaurimin e kalasë Ram në afërsi të qytetit Pozharevac u nënshkrua nga zëvendëskryeministri Yalcin Akdogan dhe zëvendëskryeministrit të Serbisë, Rasim Ljajiç.

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu ka mbërritur sot për një vizitë dyditore zyrtare në Serbi.

Avioni i kryeministrit Davutoglu ka ateruar në Beograd në mesditë, ndërsa për ta pritur kishin dalë kryeministri serb Aleksandar Vuçiç dhe shefi i diplomacisë Ivica Daçiç.  Delegacioni i kryeministrit të Turqisë përbëhet nga afaristë të shumtë turq të cilët do të jenë pjesë e forumit të punës mes afaristëve turq dhe serb. aa

Davutoglui në Serbi për potencialet, mekanizmat dhe projektet për investimet turke

Davutoglui do të marrë pjesë edhe në hapjen e Qendrës Kulturore Turke “Yunus Emre” në Beograd, ndërsa të martën do të vizitojë edhe Novi Pazarin

BEOGRAD – Kryeministri i Turqisë Ahmet Davutoglu ka mbërritur sot për një vizitë dyditore zyrtare në Serbi.

Avioni i kryeministrit Davutoglu ka ateruar në Beograd në mesditë, ndërsa për ta pritur kishin dalë kryeministri serb Aleksandër Vuçiç dhe shefi i diplomacisë Ivica Daçiç.  Delegacioni i kryeministrit të Turqisë përbëhet nga afaristë të shumtë turq të cilët do të jenë pjesë e forumit të punës mes afaristëve turq dhe serb.

Pjesë e delegacionit është edhe zëvendëskryeministri, Yalcin Akdogan, ministri i Jashtëm Mevlut Çavushoglu, ministri për komunikim, detari dhe trafik, Binali Yildirim, ministri i Ekonomisë, Mustafa Elitas dhe ministri i Shëndetësisë, Mehmet Muezzinoglu.

Kryeministri i Turqisë në Serbi po qëndron me ftesë të homologut të tij serb, ndërsa pritet nënshkrimi i disa marëveshjeve ndërshtetërore nga lëmi i arsimit, shëndetësisë, riparimi i objekteve kulturore-historike etj.

Mes tjerash, Davutoglu dhe Vuçiç do të bisedojnë edhe për çështjet rajonale dhe globale. aa

Erdogan akuzon Iranin për politika sektare në Siri

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka akuzuar Iranin për politika sektare në Sirinë fqinje, duke vënë peshën e tij pas presidentit sirian, Bashar al-Assad.

“Nëse Irani nuk do të qëndronte prapa Assadit për arsye sektare, sot ndoshta nuk do të diskutonim për çështje si Siria”, ka thënë Erdogan në një adresim televiziv.

Irani dhe Turqia janë në anët e kundërta të konfliktit sirian.

Ankaraja mbështet rebelët që luftojnë Assadin dhe i është bashkuar koalicionit ndërkombëtar, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i cili bombardon caqet e militantëve të Shtetit Islamik në Siri.

Irani shiit, ashtu si edhe Rusia, është mbështetës i madh i Assadit, i cili i takon sektit alavit të Islamit shiit.

Erdogan ka akuzuar Rusinë dhe Iranin, ashtu si edhe Shtetin Islamik dhe luftëtarët kurdë të Sirisë për “masakrimin e njerëzve të pafajshëm” në Siri.

Ai ka thënë se grupet e tilla si Shteti Islamik dhe luftëtarët kurdë janë “instrumete të luftës për pushtet global”.

Serbi, 79 të arrestuar për korrupsion

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka bërë të ditur se forcat policore serbe kanë arrestuar 79 persona në një aksion kundër korrupsionit.

Sipas tij, në mesin e të arrestuarve janë një ish-ministër, dy ish-zëvendësministra, disa kryetarë dhe ish-kryetarë komunash, disa drejtorë të kompanive publike dhe disa biznesmenë.

Stefanoviq ka thënë se të gjithë ata janë arrestuar nën dyshimet se në vitin 2004 kanë kryer disa vepra penale, me të cilat kanë dëmtuar shtetin për më shumë se 100 milionë euro.

Ai ka shtuar se aksioni është kryer me qëllim parandalimin e krimit financiar dhe të korrupsionit.

Mediat serbe e kanë vlerësuar këtë si aksionin më të madh kundër korrupsionit në Serbi.

Gjukanoviçi i përgjigjet Nikoliçit: Nuk pranoj tone të larta nga Beogradi

Pas deklaratave të djeshme të presidentit serb Tomislav Nikolic për shtetin e Malit të Zi, duke e konsideruar shtetin bregdetar si lodër dhe se do ta humbë pavarësinë me vetëdije duke i pranuar të gjitha kombinacionet për tu bërë anëtare e NATO-s, ka reaguar kryeministri malazez.

Milo Gjukanovici ka thënë se është i befasuar nga presidenti serb dhe deklaratat e tij, që ai i kishte lexuar si pjesë paraprake e një interviste të Nikolic për Sputnik, transmeton Koha.net.

Gjukanovici me një dozë dyshimi mbi intervistën ka thënë se po të jetë ashtu siç ka lexuar, do të jetë mjaft i befasuar dhe se nuk pranon asnjë ton të lartë nga Beogradi. Ai më tej ka thënë se Mali i Zi do të vazhdojë integrimin në BE dhe NATO.

‘Tronditet’ Shkupi, arkivoli me të vdekurin brenda bie në mes të bulevardit

SHKUP – Kryeqendra e Maqedonisë është tronditur nga një incident jo i zakonshëm. Bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur dje në orët e pasditës në Shkup ku një pacient që kishte vdekur në një spital në Shkup, është transportuar me furgon deri tek adresa e familjarëve të tij, të cilët më pas e kanë planifikuar varrimin e tij.

Mirëpo gjatë transportit nga furgoni i specializuar, për një çast ka rënë arkivoli në mes të rrugës, shkruan “Zhurnal”.

Arkivoli ku gjendej trupi i pajetë ka rënë në mes të rrugës dhe ka bllokuar bulevardin “Arradhat partizane”, 3 km në largësi nga Qendra e Shkupit. Drejtuesit e mjeteve të tjera janë trembur nga rënia e arkivolit, dhe kanë ndërprerë lëvizjet e tyre.

Dëshmitarët okularë të cilët janë ndodhur në vendin e ngjarjes janë shokuar nga pamja trishtuese, madje disa fëmijë kanë filluar të bërtasin.

Ulqin, shkrumbohet autobusi i turistëve shqiptarë

Flakët e zjarrit që kanë nisur në pjesën e motorrit janë përhapur me shpejtësi në të gjithë autobusin, por fatmirësisht nuk ka patur persona të lënduar. I gjithë autobusi është shkrumbuar teksa automjeti ishte duke lëvizur në aksin dytësor Ulqin-Tivar.
Ndërsa sipas policisë dyshohet se shkak për djegien e autobusit është bërë një defekt teknik tek automjeti. Ndonëse fillimisht mes pasagjerëve u krijua nga kaos, ata kanë zbritur me shpejtësi nga autobusi duke i shpëtuar flakëve të zjarrit.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin ku u dogj autobusi kanë shkuar forcat e policisë rrugore të shtetit malazez e cila ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të kësaj ngjarje.

Vuçiç-ambasadorit amerikan: Serbia ka politikën e saj për Kosovën

BEOGRAD – Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vucici deklaroi sot se shteti i tij nuk do të ndryshojë politikën ndaj Kosovës, duke iu përgjigjur deklaratave të Ambasadorit të SHBA-ve në Beograd Michael Kirby. Ai tha se normalizimi i raporteve Prishtinë-Beograd nënkupton anëtarësimin e Kosovës në OKB. Vuçiç ka thënë se nuk e ka të lehet ti përgjigjet ambasadorit pasi SHBA-të janë superfuqi.

“Ajo çfarë mund të them këtë mëngjes është se nuk e kemi të lehtë si vend i vogël t’i përgjigjemi asaj çfarë ka thënë Kirby, krejt çfarë mund të them është se Serbia ka politikën e saj. Ne e respektojmë politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ata janë superfuqi botërore, por ne e kemi politikën tonë dhe i përmbahemi asaj” –tha Vuçiç.

Ai po ashtu ka theksuar se qëndrimi i ambasadorit Kirby nuk është ndonjë risi shumë e madhe, duke pasur parasysh se Shtetet e Bashkuara e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, por Serbia këtë kurrë nuk e pranoi.

Vuçiçi: Më 2016 do të fluturojmë në Prishtinë

Nuk dihet se a do ta pengojë kompaninë fluturuese të Beogradit emërtimi i aeroporti të Prishtinës Adem Jashari

Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiçi sot ka përuruar një objekt të ri në aeroportin e këtij vendi në Beograd.

Ai, me këtë rast ka thënë, njofton B92, transmeton Koha.net, se qëllimi është që në vitin 2016 kompania shtetërore ajrore serbe Air Serbia, të fluturojë në aeroportin Prishtinës.

Nëse kjo dëshirë e kryeministrit serb për kompaninë ajrore të Serbisë do të realizohet, nuk dihet se a do ta pengojë kompaninë fluturuese të Beogradit emërtimi i aeroporti të Prishtinës Adem Jashari.

Emri Ademi Jashari ka bllokuar librat e Kosovës që janë dërguar nga MAShT –i donacion për nxënësit shqiptarë të Luginë së Preshevës e që tash e pesë muaj mbahen në terminalin doganor të Preshevës.

Beogradi zyrtar kishte thënë se në Serbi nuk mund të mësohet në librat që flasin për Adem Jasharin dhe për pavarësinë e Kosovës.

Daçiç: Mospranimi i Kosovës në UNESCO, sukses i ministrisë që udhëheq unë

BEOGRAD – Gjatë analizës vjetore të punës së tij si Ministër i Punëve të Jashtme, Iviça Daçiç ka përmendur se meritë e institucionit që ai drejton është refuzimi i kërkesës së Kosovës për të qenë pjesë e UNESCO-s.

Prezantimi i punës përfshinte periudhën nga 1 janari deri më 30 shtator të këtij viti. Ai përmendi se sukses i diploamcisë serbe janë kapitujt 32 e 35, ku një prej tyre përfshin negociata për anëtarësim në BE, ndërsa tjetra pengimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO.

Tetë emigrantë humbin jetën në brigjet turke

Mediat turke raportojnë se 8 emigrantë, përfshirë 3 fëmijë, janë mbytur sot në mëngjes si rezultat i përmbytjes së anijes së mbingarkuar në detin Egje. Anija ishte nisur për në ishullin grek, Lesbos.

Varka e drurit, është përmbytur nga valët e larta, dy milje nga brigjet Bademli në Egje, ka njoftuar agjencia e lajmeve Dogan, duke shtuar se edhe 14 emigrantë të tjerë janë zhdukur.

Rojat bregdetare turke thanë se zhytësit kanë nxituar në venngjarje dhe janë përpjekur që t’i shpëtojnë refugjatët, por përpjekjet kanë qenë të kota

Numri i emigrantëve dhe refugjatëve që kanë depërtuar nga toka dhe deti në vendet e Bashkimit Evropian, vetëm gjatë këtij viti, sipas IOM-së dhe UNHCR-së, e ka kaluar numrin prej një milion.

Edhe mëngjesin e së mërkurës është raportuar një tragjedi e tillë, ku e kanë humbur jetën 11 emigrantë.

Gjuriq: Për Beogradin vlen marrëshja e 25 gushtit mbi Asociacionin

Drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se Beogradi pret që marrëveshja mbi Asociacionin për komunat e banuara me shumicë serbe, e arritur në Bruksel më 25 gusht të vitit 2015, të zbatohet në tërësi.

Për Serbinë, ka thënë ai, e vlefshme është vetëm marrëveshja e 25 gushtit.

“Presim dhe kërkojmë zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Gjuriq, për televizionin shtetëror serb, RTS, duke kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar, që pa zvarritje, të sigurojë zbatueshmërinë e kësaj marrëveshjeje.

“Ne nuk na ka pyetur askush as kur është miratuar ajo kushtetutë krahinore; kjo është arsyeja pse ne sot bisedojmë në Bruksel dhe mendoj se respektimi i marrëveshjes së Brukselit është e vetmja mënyrë për të vazhduar me normalizimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e problemeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Gjuriq.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Por, në vendimin e Gjykatës është konstatuar se parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës, përkatësisht kapitujt që kanë të bëjnë me barazinë para ligjit, me të drejtat dhe liritë themelore, si dhe me të drejtat e komuniteteve dhe pjesetarëve të tyre.

Haga liron përkohësisht dy serbë të akuzuar për krime lufte

Franko Simatoviq dhe Jovica Stanishiq

Gjykata për krime të luftës në ish-Jugosllavi, ka marrë sot vendim për lirimin e përkohshëm të dy zyrtarëve të lartë serbë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Ata janë liruar në kohën kur janë duke e pritur rigjykimin për krimet e luftës, të cilat akuzohen se i kanë bërë gjatë luftërave në Ballkan, në vitet e 90-ta.

Gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICTY) kanë shfaqur shpresën se Jovica Stanishiq dhe zëvendësi i tij Franko Simatoviq, që të dytë nga 65 vjeç, “do të paraqiten në gjykim” edhe pas vendimit për lirim të përkohshëm.

Gjykata me bazë në Hagë, gjatë javës së kaluar e ka refuzuar vendimin mbi pafajësinë e dy zyrtarëve serb. Ata ishin shpallur të pafajshëm për krimet kundër njerëzimit në Bosnje dhe Kroaci ndërsa pas vendimit të javës së kaluar, lënda është kthyer në rigjykim.

Më shumë se 100 mijë njerëz kanë vdekur dhe miliona të tjerë kanë mbetur të pastrehë gjatë konfliktit në Bosnje në vitet 1992-1995.

Gjyqtarët e apelit në Hagë thanë se gjyqtarët e shkallës së parë në procesin kundër Stanishiq dhe Simatoviq, kanë gabuar në disa pika.

Pesë gjyqtarë të apelit kanë vendosur që vendimi të mos ndryshohet, por kanë urdhëruar rigjykim të rastit.

Të dy burrat pritet të merren nga qendra e paraburgimit në Hagë e të dërgohen në aeroport, prej nga do të dërgohen në Beograd dhe do të dorëzohen tek autoritetet serbe.

Dy burrat e kanë të ndaluar që të largohen nga kryeqyteti serb. Me vendimin e gjyqtarëve të Hagës, atyre duhet t’iu konfiskohen dokumentet e udhëtimit dhe në baza ditore janë të obliguar që të paraqiten në policinë serbe.

Stanishiq dhe Simatoviq e kanë të ndaluar komunikimin me dëshmitarët dhe me mediat.

Gjykata i ka urdhëruar mjekët e njësisë së paraburgimit që një herë në javë të bisedojnë në telefon me Stanishiq për shkak të problemeve të tij shëndetësore.

Prokurorët e Hagës të cilët e kanë kërkuar burgimin e përjetshëm për dy serbët e akuzuar, pohojnë se Jovica Stanishiq dhe zëvendësi i tij Franko Simatoviq, ishin pjesë e një grupi të përbashkët kriminal në të cilin grup ishte edhe Mollosheviqi dhe udhëheqësi i serbëve në Bosnje, Radovan Karaxhiq.

Sllobodan Millosheviq ka vdekur në vitin 2006,  teksa po mbahej në paraburgim në Hagë derisa Radovan Karaxhiq po përballet në Hagë me akuzat për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Skandali – Shefi i departamentit në Universitetin e Gjirokastrës: Epiri i Veriut nocion gjeografik, jo politik

Panajot Barka

Shefi i departamentit të Letërsisë e Gjuhës Greke në Gjirokastër, Panajot Barka, e cilëson dokumentarin si historik, pa qëllime politike.

Një ditë pas publikimit të lajmit mbi dokumentarin e prodhuar nga ky departament, në universitetin “Eqerem Çabej” të Gjirokastrës, Barka deklaron se nuk e ka përdorur termin Epir i Veriut me qëllime të tjera, veç atij si nocion gjeografik. pyetur nga gazeta, Barka komentoi se dokumentari nuk kishte pretendime nacionaliste.

“Nëse është përdorur termin Epir i Veriut apo i Jugut, qëllimi ka qenë vetëm nocion gjeografik. Dihet botërisht ndarja që iu bë Epirit”, u shpreh shefi i departamentit, Panajot Barka.

Sipas tij, dokumentari i publikuar me logon e universitetit të Gjirokastrës është i ndarë në dy pjesë, ku e para është përgatitur 5 vite më parë, ndërsa e dyta muajt e fundit.

“Mbaj përgjegjësitë e mia për çdo gjë. Për diçka më vjen keq: Që gjithë investimi im intelektual e shkencor për të vënë në shërbim të marrëdhënieve shumë të mira midis dy vendeve dhe popujve, pikërisht këto realitete bashkëjetesë diakronike, kërkohen të vihen në pikëpyetje nga ata që nuk njohin këto realitete, por thjesht konsumojnë si histori slogane të ideologjisë nacionaliste e komuniste dhe i paraqesin si ide e histori kombëtare. Ndaj e them me bindje se marrëdhëniet miqësore e multikulturore të grekëve dhe shqiptarëve në Epir edhe në kohën e Ali Pashë Tepelenës ishin më të mira se realiteti nacionalist i sotëm i frymëzuar nga slogane të nacionalizmi të sëmurë”, u shpreh Barka.

Sipas tij, “nuk mund të ketë marrëdhënie shumë të mira midis dy vendeve në kuadrin e Europës së Bashkuar, po nuk e pamë të vërtetën me sy, po nuk e pamë historinë me realizëm, po nuk e çliruam vetën dhe historinë tonë nga mitomania e sëmurë nacionaliste. Pikërisht kjo frymë është në qendër edhe të dokumentarëve të departamentit të Gjuhës Letërsisë dhe Qytetërimit Grek në Universitetin e Gjirokastrës, të cilat kanë në qendër të vëmendjes kontributin tim personal”.

Në lidhje me dokumentarin e parë, “Epiri, miti në realitet”, Barka thotë se “në të tregohet rrugëtimi i civilizimit të Dodonës nga perandoria e prehistorike e mitit, në mitologjinë klasike greke dhe si kjo kulturë u mbart në Epir, në historinë antike, bizantine dhe në atë me të re, pavarësisht nga origjina e banorëve të tij, se si aspekte të civilizimit të Dodonës ruhen ende edhe sot. Pra, bëhet fjalë për një dokumentar të antropologjisë sociale dhe nuk merret as me histori, as me politikë, as me kombe, as me shtete”.

Për dokumentarin e dytë, Barka shprehet se është një homazh për fitoren e parë të popujve të shtypur nën thundrën e fashizmit gjatë luftës së Dytë Botërore. “Dhe këtë e arriti populli grek, përsëri në Epir, në malet e Jugut të Shqipërisë me ndihmën edhe të popullit shqiptar. Unë e shikoj këtë luftë si një argument historik për të vendosur marrëdhëniet midis popujve tanë në shina partneriteti, miqësie e bashkëpunimi”.

Nga ana tjetër, shefi i departamentit, me titullin profesor i asociuar, shprehet se të gjitha dokumentet janë nga arkiva dokumentare të historisë së popullit shqiptar, nga arkivat e transmetuara nga televizionet shqiptare e italiane. I pyetur nëse ka marrë leje nga rektorati, Braka shprehet se departamentet kanë autonominë e tyre për të realizuar publikime të ndryshme.

Sondazhi: Bie orientimi pro-perëndimor në Serbi, rritet ai pro-rus

Rreth 94 % të qytetarëve të anketuar mendojnë se është në interes të Serbisë të mbahen lidhjet e fuqishme me Rusinë

Qytetarët e Serbisë e kanë vënë në dilemë përkushtimin e tyre ndaj integrimeve evropiane dhe orientimit kah Perëndimi, duke shprehur më shumë lidhshmëri me Rusinë. Këto janë rezultatet e një sondazhi të realizuar nga qendra hulumtuese Instituti Ndërkombëtar Republikan në Serbi [IRI].

Nga numri i përgjithshëm i qytetarëve të anketuar, 50 për qind thanë se do të votonin kundër ose do të abstenonin në rast të mbajtjes së një referendum për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Rreth 94 % të qytetarëve të anketuar mendojnë se është në interes të Serbisë të mbahen lidhjet e fuqishme me Rusinë, në krahasim me 71 për qind prej tyre që favorizojnë BEnë dhe 65 për qind të tjerë, të cilët mendojnë se marrëdhëniet e mira me Shtetet e Bashkuara janë në interes të Serbisë.

Të pyetur pse e shohin Rusinë si mbrojtësin më të madh të interesave të tyre, 48 për qind e të anketuarve kanë përmendur lidhjet historike, qëndrimin e Moskës karshi Kosovës dhe rezistencën ndaj Perëndimit.

Bëri komente seksiste: Gazetarët kërkojnë shkarkimin e ministrit serb të Mbrojtjes

Pamje e protestës së gazetarëve në Nish

Qindra gazetarë kanë protestuar mbrëmë në gjithë Serbinë duke kërkuar që kryeministri, Aleksandar Vuçiq, ta mbajë premtimin e tij dhe ta shkarkoi ministrin e mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, i cili ka bërë komente seksiste për një gazetare.

Para dy javësh, Vuçiq tha se po e shkarkonte Gashiqin, por megjithatë Gashiq ka mbetur në zyrën e tij.

Ky ministër ka shkaktuar reagime të shumta, pas komentit të tij për një gazetare të Televizionit B92, e cila ishte përkulur para tij për të mos i penguar kamerat, se “i pëlqen kur gazetaret bijnë në gjunjë shumë lehtë”.

Protesta me moton “Gazetarët nuk bijnë në gjunjë” është mbajtur në disa qytete të Serbisë.

Organizuesit thonë se mbetja e Gashiqit në zyrë “tregon se si trajtohen mediat në Serbi”.

Ambasadori amerikan: Kushti për Serbinë, normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën

Ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është kusht për Serbinë dhe për këtë të gjithë janë të vetëdijshëm.

Kirby ka shfaqur kënaqësinë që Serbia ka hapur zyrtarisht negociatat me Bashkimin Evropian, përkatësisht kapitujt 32 e 35, shkruan Tanjug.

Ai ka vlerësuar se marrëdhëniet e ShBA me Serbinë, qëkur e ka filluar mandatin e vet, janë avancuar dhe se Serbia sheh interesin që të jetë mik i ShBA. Kirby ka thënë se SHBA në rajon dëshiron paqe dhe zhvillim ekonomik.

“Shikoni marrëdhëniet rajonale, pos Kosovës, madje edhe me Kosovën, janë më të mira se sa që kanë qenë, dhe ne jemi të lumtur për këtë”, ka thënë ai.

Erdogani: Terrori nuk ka fe, komb, racë as atdhe

Lufta për pushtet nën pretekstin e DAESH-it (ISIS-it), sipas Presidentit të Republikës së Turqisë Recep Tayyip Erdogan, u kthye në një lojë tragjike

STAMBOLL – Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogani, gjatë vizitës së tij të mbrëmshme në Stamboll rikujtoi se në Siri janë vrarë 400.000 njerëz të pafajshëm dhe se 12 milionë të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Ai u shpreh se është e qartë se myslimanët janë grupi i targetuar dhe tha se “askush askënd më nuk mund të mashtrojë”.

Lufta për pushtet nën pretekstin e DAESH-it, sipas Erdoganit, u kthye në një lojë tragjike.

“Çdo kush aktron. Gjithkush vrapon për të marrë një rol. Por njerëzit e vdekur janë një realitet. Foshnjet e vrara, fëmijë, gratë dhe të moshuarit janë një realitet. Realitet janë edhe shtëpitë e shkatërruara, shkollat, objektet historike. Kurse bombat që po hidhen janë për shkak të borxheve tjera”, tha Erdogani.

Presidenti i Turqisë thekson se “terrori nuk ka fe, komb, racë e as atdhe”.

Erdogani duke folur për situatën në Turqi, tha se në këtë vend janë “PKK, kurse në jug PYD dhe YPG dhe se ato janë të njëjta, nuk dallojnë nga të tjerat”.

“Terrori është terror. Ata janë të gjithë të këqij”, tha Erdogani aa.

NATO miratoi planin e mbështetjes për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Turqisë

Sipas një zyrtari anonim të NATO-s, në bazë të planit, në Turqi do të dërgohen më shumë avionë zbulues AWACS dhe do të rritet patrullimi ajror

BRUKSEL – NATO miratoi planin e mbështetjes për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Turqisë.

Sipas një zyrtari anonim të NATO-s, në bazë të planit të Turqisë do të dërgohen më shumë avionë zbulues AWACS dhe do të rritet patrullimi ajror.

Përveç kësaj, në Mesdheun jugor do të dërgohen më shumë forca detare dhe avionë për patrullim detar.

Sipas planit të mbështetjes për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Turqisë do të realizohen edhe stërvitje të përbashkëta.

Ai shtoi se NATO do të vazhdojë përmes sistemit të raketave të mbështesë mbrojtjen ajrore të Turqisë. Spanja po ashtu ka vazhduar për një vit sistemin e mbrojtjes ajrore në Turqi.

Aleatët e tjerë kanë porositur se në kuadër të marrëdhënieve bilaterale do të dërgojnë avionë për të mbështetur mbrojtjen ajrore të Turqisë.

Zyrtari i NATO-s për AA tha se e gjithë kjo tregon përkushtimin e fortë të mbrojtjes së Turqisë dhe përpjekjet për arritjen e stabilitetit në rajon.

Mbytet një anije që transportonte klandestinë në Turqi, 18 të vdekur

Një anije që trasportonte klandestinë dhe e cila ishte nisur nga brigjet e Bodrumit të Turqisë drejt ishullit Kios të Greqisë është mbytur dhe si pasojë 18 veta humbën jetën

MUGLA – Një anije që trasportonte klandestinë dhe e cila ishte nisur nga brigjet e Bodrumit të Turqisë drejt ishullit Kios të Greqisë është mbytur dhe si pasojë 18 persona kanë humbur jetën.

Anija e vogël prej druri e cila kishte në bord sirianë dhe irakianë u mbyt në afërsi të lagjes Yalıkavak. Gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit 14 persona janë shpëtuar, ndërkohë janë gjetur 18 kufoma të klandestinëve të mbytur.

Pas ekzaminimeve përkatëse në Yalıkavak kufomat e gjetura të klandestinëve janë dërguar në morgun e Bodrumit.

Nga ana tjetër 14 të shpëtuarit janë dërguar në port dhe më pas një pjesë e tyre janë dërguar për tu mbajtur nën mbikqyrjen e mjekëve në spitalin shtetëror të Bodrumit. aa

Djali i Alia Izebegoviçit: Nuk do ta njohim kurrë Kosovën

Serbët i kanë vrarë rreth 200 mijë myslimanë, 8 mijë për një ditë në Srebrenicë. E megjithatë, djali i Alia Izetbegovicit, ka deklaruar se Bosnja nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se raportet me Serbinë po përmirësohen çdo ditë e më shumë.

“Nuk besoj se do ta njohim Kosovën pasi përballemi me rezistencë të fuqishme nga politikanët serbë dhe anëtari i presidencës Mladen Ivaniq”, ka thënë Izetbegoviq, raporton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”.

Ai ka thënë se kriza të caktuara janë tejkaluar dhe se marrëdhëniet me Serbinë janë në një stad më të mirë.

Sipas Izetbegoviqit, Bosnja dhe Serbia do të investojnë në infrastrukturën regjionale duke ndërtuar aeroporte, trafostacione, ura, porte dhe autostrada dhe kjo do të përkthehet në hapjen e shumë vendeve të punës.

“Thuajse 100 sektorë të tjerë të industrisë do të përfitojnë nga këto projekte”, ka shtuar Izetbegoviç.

Izrael – Turqi: Bisedime për normalizim të marëdhënieve

Një zyrtar izraelit thotë se Izraeli dhe Turqia kanë arritur marrëveshje paraprake për normalizimin e raporteve të tyre, përfshirë kthimin e ambasadorëve në të dy vendet.

Ky zyrtar i ka thënë dje agjencisë Reuters se marrëveshja është arritur gjatë takimit aktual në Zvicër, ndërmjet të dërguarit izraelit, Joseph Ciechanover, dhe nënsekretarit të Ministrisë së jashtme turke, Feridun Sinirlioglu.

Zyrtarë turq kanë konfirmuar mbajtjen e bisedimeve, por thonë se nuk është arritur kurrfarë marrëveshje. Ata theksojnë se përpjekjet për normalizim po vazhdojnë.

Dikur një aleancë e fuqishme turko-izraelite, është shkatërruar në mënyrë dramatike nën presidentin e Turqisë, Recep Tayyip, Erdogan, i cili më parë e ka udhëhequr Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim, me rrënjë islamike.

Turqia: Nuk paguajmë dëmshpërblim për avionin e rrëzuar

Ankaraja thotë se nuk do t’ia paguaj asnjë dëmshpërblim Rusisë për avionin ushtarak rus që e ka rrëzuar muajin e kaluar në afërsi të kufirit me Sirinë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Tanju Bilgic, e ka kumtuar qëndrimin e Ankarasë sot, disa minuta pasi zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksei Meshkov, i bëri thirrje Turqisë për të paguar kompensim për aeroplanin e rrëzuar.

Turqia e ka rrëzuar aeroplanin rus më 24 nëntor pasi që ai e kishte shkelur hapësirën ajrore turke. Aeroplani sipas Turqisë, është rrëzuar pas disa paralajmërimeve të bëra.

Të dy pilotët që kanë qenë në bord, u vranë gjatë incidentit.

Rusia këmbëngul se avioni nuk e ka shkelur hapësirën ajrore turke dhe si i tillë ka lëviozur vetëm në territorin sirian.

Si përgjigje ndaj rrëzimit të avionit, Rusia e ka vendosur një seri sanksionesh ndaj Turqisë.

Rriten tensionet mes Rusisë dhe Turqisë

Kapiteni i një anije turke peshkimi që operon në ujërat ndërkombëtare, tha sot se ndaj anijes së tij nuk është qëlluar me të shtëna paralajmëruese nga destrojeri rus në Detin Egje. Dje Rusia tha se një anije e saj luftarake që po lundronte në Detin Egje ishte detyruar të qëllonte në mënyrë paralajmëruese ndaj një anije turke peshkimi për të shmangur një përplasje me të.

Ministria e Mbrojtjes ruse tha dje se destrojeri Smetlivy, ishte detyruar të hapte zjarr paralajmërues ndaj një anije turke në ujërat ndërkombëtare në Detin Egje për të shmangur një përplasje dhe se ajo kishte thirrur atasheun ushtarak turk për t’i shprehur shqetësimin mbi incidentin.

Në deklaratën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes, thuhet se anije turke e peshkimit, të cilën nuk e identifikoi, nuk u ishte përgjigjur paralajmërimeve fillestare, por ndryshoi kurs pas të shtënave paralajmëruese duke bërë një kthesë rreth 500 metra larg luftanijes ruse.

Por Muzafer Gecici, kapiteni i anijes turke të peshkimit Geciciler-1, tha se ai nuk ka dëgjuar asnjë të shtënë paralajmëruese.

“Ne kemi parë disa anije, por ne nuk e dinim cilit vend i përkisnin. Ne lundruam afër, mblodhëm rrjetat e peshkimit dhe fjetëm. Më vonë, mësuam nga lajmet se një anije ruse kishte qëlluar me të shtëna paralajmëruese ndaj nesh. Ne nuk i kemi dëgjuar të shtënat paralajmëruese. Ne thjeshtë pamë një anije. E dinimi që ajo nuk ishte anije turke dhe menduam se ndoshta është një anije e NATOs”, tha kapiteni Gecici.

Më vonë njesitë e rojes bregdetare turke biseduan me anëtarët e bordit të anijes së peshkimit për të marrë informacione mbi ngjarjen.

“Pas kësaj, roja bregdetare erdhi dhe kërkoi informacione. Ne u dhamë atyre hartën e lundrimit dhe një deklaratë mbi ngjarjen. Është shumë e lehtë të shihni lëvizjet tona në det pasi ato janë të regjistruara. Ne kryesisht punojnë në ujërat ndërkombëtare dhe ato turke”.

Incidenti i djeshëm ka të ngjarë të rrisë tensionet mes dy vendeve të cilat kanë mosmarrëveshje serioze rreth konfliktit në Siri dhe rrëzimit të një avioni ushtarak rus nga forcat turke, muajin e kaluar.

Më herët këtë muaj, Turqia i shprehu Rusisë shqetësimin e saj mbi një incident në të cilin një marinar rus është fotografuar duke mbajtur në sup një raketa-hedhës të drejtuar nga Stambolli, ndërsa anija ruse po kalonte në ngushticën e Bosforit pranë Stambollit.

Serbia hap kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE

Serbia hap të hënën kapitujt 32 dhe 35 të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat kanë të bëjnë me kontrollin financiar dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Zyrtarët evropianë thanë e hapja e kapitujve dëshmon se integrimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një ide për Serbinë por “një qëllim konkret dhe i arritshëm”.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, tha se kjo është një ditë e madhe për Serbinë.

Serbia siguroi negociatat për anëtarësim pas angazhimit të saj në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.

Çështja e këtyre marrëdhënieve përfshihet në kapitullin 35 të negociatave që sipas kryeministrit serb “do të zgjasë deri në fund të procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE. Kjo nuk do të jetë e lehtë, por ne nuk i frikësohemi punës. Nuk ka zgjidhje të lehta, dhe qytetarët tanë duhet të na kuptojnë”, tha ai.

Ndërsa, presidenti serb, Tomislav Nikoliç, tha se nëse kapitulli i 35-të parasheh njohjen e Kosovës si shtet të pavarur, atëherë Serbia këtë nuk do ta pranojë.

Kosova përfitoi marrëveshjen e stabilizim asociimit nga bisedimet me Serbinë, por marrëveshjet e fundit të arritura më 25 gusht, e çuan Kosovën drejt një krize politike disa muajshe.

Partitë opozitare u hodhën në protesta në parlament dhe jashtë tij për të kundërshtuar marrëveshjen për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe që ata e shohin si të dëmshme për sovranitetin e Kosovës.

Njëkohësisht ato kundërshtojnë edhe marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Për gati tre muaj ato nuk kanë lejuar mbajtjen e seancave të rregullta të parlamentit duke kërkuar anulimin e marrëveshjeve, referendum për to dhe nëse këto nuk funksionojnë atëherë të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa u ka bërë thirrje partive opozitare që të hapin dialogun, ndërsa është zotuar se do të pres dhe do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe, zbatimi i së cilës është pezulluar në pritje të këtij vendimi. Ai po ashtu tha se qeveria është e gatshme që duke përfshirë edhe ekspertë ndërkombëtarë, të diskutojë lidhur me shënimin e vijës kufitare më Malin e Zi.

Qeveria e Malit të Zi, të enjten u shpreh e gatshme të debatojë çështjen e kufirit me Kosovën. Ajo tha se “nëse ekziston dyshimi se janë bërë gabime, është e gatshme ta shqyrtojë sepse nuk dëshiron mospajtime me fqinjët, duke pasur parasysh interesat shtetërore dhe kombëtare të Malit të Zi”.

Edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha të shtunën se duhet dialog i brendshëm për të zgjidhur çështjet që nxisin mosmarrëveshje.

Marrëveshjet me Serbinë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që aspirojnë integrimet evropiane. Por, organizatat që vëzhgojnë këtë procesin thonë se deri tash vetëm katër nga 16 marrëveshjet e arritura janë zbatuar në terren.

Turqia ua ndalon ushtarakëve pushimet në Rusi

Për shkak të mosmarrveshjeve që shteti turk i ka me atë rus, ushtria turke ua ka ndaluar të gjithë ushtarakëve të vendit, që të shkojnë për pushime në Rusi.

Marrëdhëniet në mes të Ankarasë dhe Moskës janë ftohur që nga 24 nëntori kur Turqia e ka rrëzuar një aeroplan ushtarak rus në afërsi të kufirit me Sirinë. E zemëruar me këtë veprim, Rusia deri tani ka vendosur disa sanksione ndaj Turqisë.

Por, mediat turke sot kanë bërë me dije se ushtarëve të Turqisë dhe studentëve të Akademisë Ushtarake sot iu është ndaluar shkuarja për pushime në Rusi.

Kriza aktuale në mes të Rusisë dhe Turqisë është më e thella që nga Lufta e Ftohtë.

Disa ditë më parë, Ministria e Jashtme turke i ka paralajmëruar qytetarët që të udhëtojnë për në Rusi vetëm nëse kanë raste urgjente ndërsa sot, autoritetet turke kanë njoftuar për këtë ndalesë që i është bërë ushtrisë.

Turqia thotë se aeroplani rus Su-24 në mënyrë të përsëritshme e ka shkelur hapësirën ajrore të saj, derisa Moska këmbëngul se aeroplani nuk është larguar për asnjë moment nga hapësira ajrore siriane.

Incident i ri ushtarak mes Rusisë dhe Turqisë

Një incident i ri ka ndodhur mes Rusisë dhe Turqisë, por kësaj radhe “beteja” është zhvendosur nga qielli në det. Sipas Rusisë, një anije ruse është detyuar që të përdorte armët për të shmangur përplasjen me një anije turke mallrash.

Përmes një deklarate, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ekipi i anijes luftarake ‘Smetlivi’ u detyrua të përdorte armët e zjarrit për të shmangur përplasjen në veri të detit Egje. Ngjarja ndodhi 22 kilometra larg ishullit të Greqisë, Lemnos. Nga të dhënat, nuk është raportuar për të lënduar apo për viktima.

Podgoricë- protesta anti-NATO me thirrjet “Kosova është zemra e Serbisë”, “Nuk e japim Kosovën”

Në Podgoricë është zhvilluar një protestë nga Fronti Demokratik kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Tubimi ka nisur para Kuvendit të Malit të Zi, prej ku protestuesit janë nisur të qetë deri tek monumenti i Shën Pjetrit.

Portali “Vijesti” i Malit të Zi ka raportuar se protestuesit kanë ndezur dhjetë pishtarë dhe kanë thirrur “Nuk e japim Kosovën” dhe “Kosova është zemra e Serbisë”. Në tubim ndërkaq nuk është parë askund flamuri i Malit të Zi, por është parë një pllakat me mbishkrimin “NATO është organizatë satanike”, transmeton Koha.net.

Një pjesë e të tubuarve kanë kënduar edhe “Himnin e heronjve të Kosovës”, këngë patriotike serbe.

“TV Vijesti” ka thënë se sipas organizatorit, në tubim kanë marrë pjesë rreth 5 mijë protestues, ndërsa vet gazetari ka thënë se nuk kanë qenë mbi 1.500.

Organizatorët, veç banerit që e shpallnin NATO-n organizatë satanike, kanë thirrur edhe “Rusia, Rusia”, “Putin, Putin”…

Si pasojë e protestës, raportohet se janë shtuar forcat e sigurisë para Ambasadës Amerikane në Podgoricë, sikurse që edhe para Ambasadës së Shqipërisë që janë duke qëndruar së paku shtatë policë të armatosur.

Podgoricë, nesër protestë kundër hyrjes së Malit të Zi në NATO

Protestën në fjalë e organizon partia Demokracia e Re Serbe, një nga anëtarët e Frontit Demokratik, që kundërshton hyrjen e Malit të Zi në NATO

PODGORICË – Në Podgoricë nesër do të mbahet protesta kundër NATO-s, dhjetë ditë pasi që Mali i Zi zyrtarisht mori ftesën për të qenë anëtarë me të drejta të plota i Aleancës.

Protestën në fjalë e organizon partia Demokracia e Re Serbe, një nga anëtarët e Frontit Demokratik, që kundërshton hyrjen e Malit të Zi në NATO. Përveç Demokracisë së Re Serbe, në tubimin e planifikuar pritet të marrin pjesë edhe disa lëvizje të tjera.

“Konstatojmë se ky është çasti ku është mjaft e rëndësishme që të gjithë ata që kundërshtojnë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO të jenë të bashkuar në ofrimin e rezistencës të një qëllimi të rrezikshëm, i cili kryetarit të Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviçit, i shërben vetëm për të zgjeruar pushtetin e pakontrolluar. Kryetari i PDS-së dhe promotorët e NATO-s duan që vendimi për këtë çështje të rëndësishme të merret pa konsultimin e qytetarëve, dhe ne nuk e pranojmë këtë”, kanë thënë nga Demokracia e Re Serbe.

Nga kjo parti është porositur se “vendimin duhet të marrin qytetarët në një referendumin të drejtë dhe të ndershëm, sepse çdo gjë tjetër mund të ketë pasoja të mëdha për Malin e Zi”.

Është planifikuar që protesta të fillojë në orën 18:00 para Kuvendit të Malit të Zi, pas së cilës është planifikuar shëtitja deri në monumentin e Shën Pjetrit të Cetinjës. aa

Republikanët serbë e njohin Kosovën

BEOGRAD – Për herë të parë po ndodh një takim mes dy partive politike të dy shteteve fqinje, Kosovës dhe Serbisë. Partia Republikane e Kosovës, ka pranuar ftesën e Partisë Republikane të Serbisë, që të jetë e ftuar e një takimi të përbashkët në mes të këtyre dy subjekteve politike, që po mbahet në Beograd.

Vizita e drejtuesve të Partisë Republikane të Kosovës në Beograd – Faton Kurti, kryetar dhe Selver Xhelili, nënkryetar – për të cilën janë njoftuar edhe institucionet relevante ndërkombëtare, po ndodhë me kusht që Republikanët e Serbisë, së pari ta njohin publikisht shtetin e Kosovës, pastaj, me ardhjen e republikanëve serbë në pushtet, Serbia dhe Kosova të bashkëpunojnë si dy shtete fqinje të pavarura, raporton rajonipress.

Partia Republikane e Serbisë, udhëhiqet nga Nikolla Sandullovic, mbi të cilin ishin bërë dy atentate në Serbi për shkak të kundërshtimit të politikave radikale serbe. Kjo parti, faktikisht e pranon realitetin e ri në Kosovë – Pavarësinë e Kosovës, duke kërkuar nga shteti serb dhe qeveria e Serbisë që ta njohë shtetin e Kosovës, dhe të njëjtën kohë, t’i kërkojë falje publike popullit të Kosovës për atë që bëri Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe të normalizojë raportet si dy shtete fqinje dhe të pavarura.

Udhëheqësit e Partisë Republikane të Kosovës, Faton Kurti dhe Selver Xhelili, nën masa të sigurisë nga Partia Republikane e Serbisë, arritën në Beograd.

Në fjalën e tij, kryetari Kurti, ka thënë se, Partia Republikane e Kosovës, do të bashkëpunojë me Partinë Republikane të Serbisë, të Shqipërisë, si shtete fqinje, dhe të gjitha partitë si motra të vendeve tjera në rajon e më gjerë, duke i harmonizuar planet e përbashkëta, në interes të shteteve tona të pavarura, sovrane e demokratike dhe qytetarëve tanë.

Ndërkaq, nënkryetari i PRK, Selver Xhelili, në paraqitjen e tij sot në Beograd, kërkoi nga drejtuesit e Partisë Republikane të Serbisë, që të insistojnë për zbulimin sa më të shpejt të të pagjeturve të luftës.

“Duhet që Serbia të jetë fqinj i mirë, ta pranojë fajësinë dhe të ecim bashkë me popujt e përparuar të vendeve tjera demokratike, drejt Evropës”, ka thënë ndër të tjera Xhelili, i cili në vazhdim, ka kërkuar nga shteti serb, avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të barabarta me serbët e Republikës së Kosovës.

“Duhet të thuhet realiteti i ri, këtu në Beograd se, me ardhjen e republikaneve në pushtet, përmes projekteve tona të përbashkëta në interes të qytetarëve tanë, në Ballkan do të ketë stabilitet për gjithë rajonin”, ka theksuar Xhelili.

Ndërkaq, kryetari i republikaneve të Serbisë Nikolla Sandullovic, si mikpritës i këtij takimi, ka përsëritur se Partia Republikane e Serbisë e njeh Kosovën shtet të pavarur e demokratik, si shtet fqinj.

“Me ardhjen tonë në pushtet, do t`i kërkojmë falje popullit shqiptar të Kosovës, për atë që bëri Serbia mbi popullin e pafajshëm shqiptar, duke hapur kështu rrugët e bashkëpunimit si dy shtete fqinje. Ne, republikanët do t’i japim të drejta të barabarta shqiptarëve që jetojnë në Serbi, ashtu siç i kanë serbët në Kosovë”, ka spikatur ndër të tjera ai, duke shpreh edhe kundërshtimin kundër gjithë këtyre “kriminelëve”, siç është shpreh ai, që sollën Serbinë në këtë izolim, thuhet në njoftimin e delegacionit të PRK-së, transmeton rajonipress.


Send this to a friend