VOAL

VOAL

Historinë njerëzore si e shpjegojnë me skulpturat bimore

Në kuadër të projektit i cili po zhvillohet nën këshillimin e kompanisë kanadeze Mosaicultures Internationales De Montreal në këtë hapësirë të gjerë janë bërë figura nga bimët të përpunuara në figura të ndryshme nga 1 metër deri në 6 metra

ANTALIA – EXPO 2016 në Antalia të Turqisë me 110 skulptura bimore ku janë përdorur 1 milionë bimë është përshkruar si zhvillimi i njerëzimit nga Azia në Afrikë dhe nga Lindja e Largët deri në Amerikën e Veriut.

Në kuadër të EXPO 2016 Antalia që do të mbahet për herë të parë Turqi, në rajonin Aksu janë duke vazhduar punimet për ekspozitën e cila shtrihet në një hapësirë prej 121 dynymë.

Në kuadër të projektit i cili po zhvillohet nën këshillimin e kompanisë kanadeze Mosaicultures Internationales De Montreal në këtë hapësirë të gjerë janë bërë figura nga bimët të përpunuara në figura të ndryshme nga 1 metër deri në 6 metra.

Në mënyrë që skulpturat të jenë sa më të përafërta me ato të vërtetat ka punuar një ekip prej 25 personash ku 4 prej tyre janë skulptorë dhe 10 të tjerë janë të huaj të cilët kanë punuar deri në detajet më të vogla punimet si elefant, luan, zebër, deve, mamuth, krimb i mëndafshit, gjetja e zjarrit dhe kryesisht ajo e Karvanit të Rrugës së Mëndafshit.

Sulm terrorist në Stamboll, 4 të vdekur dhe 36 të plagosur

“Nga 36 të plagosur 7 prej tyre janë ende në situatë serioze. Ndërsa 4 të plagosur ndodhen në procesin e operacionit. Sipas informacioneve që na kanë mbërritur theksohet se mes të plagosurve ndodhen 12 persona me nënshtetësi të huaj” u shpreh Müezzinoğlu

ANKARA – Ministri i Shëndetësisë të Turqisë, Mehmet Müezzinoğlu, në lidhje me sulmin terrorist në Beyoğlu të Stambollit ka pohuar se “aktualisht kemi humbur 4 qytetarë tanë”.

“Nga 36 të plagosur 7 prej tyre janë ende në situatë serioze. Ndërsa 4 të plagosur ndodhen në procesin e operacionit. Shpresoj se nuk do të kemi humbje të tjera. Sipas informacioneve që na kanë mbërritur theksohet se mes të plagosurve ndodhen 12 persona me nënshtetësi të huaj”- u shpreh Müezzinoğlu.

Ndërsa prefekti i Stambollit, Vasip Şahin, në lidhje me çështjen e njoftimeve për kërcënime me bombë u shpreh se: “Çështja nuk është tek njoftimet, por tek një çështje e cila është përhapur me shpejtësi në median sociale se edhe në vende të tjera të Stambollit si Nişantaşı, Bayrampaşa etj..ka patur shpërthime të bombave. Që nga ky moment nuk ka një lajm apo ngjarje të tillë”.

Ndërsa në lidhje me të dyshuarit, prefekti Şahin ka pohuar se “aktualisht tani është shumë herët. Hetimet po kryhet në të gjitha dimensionet e tij. Kjo është ajo çka mund të deklaroj për momentin”. aa

Gjuriçi: Trepçën nuk do t’ia lëmë Kosovës

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriçi, pas formimit sot të Komisionit Qeveritar të Kosovës për Trepçën ka thënë, se Serbia nuk do t’ia lërë Trepçën Kosovës.

“Kur bëhet fjalë për vendimin e Qeverisë krahinore për Trepçën, do të përkujtoja se aty po flitet për diçka që nuk ka lidhje thelbësore me pasurinë e ndokujt pos të kreditorëve të Trepçës, që janë firma në pronësi të Republikës së Serbisë dhe të Qeverisë, përkatësisht të shtetit të Serbisë, e cila është pronarja më e madhe e Trepçës”, citon Tanjug të ketë thënë Djuric , transmeton Koha.net duke shtuar se adresa e saktë për bisedime për Trepçën është Beogradi.

“Dhe jo vetëm kjo. Ne kërkojmë që çështjet kontestuese për pasurinë të zgjidhjen. Sikur të na kthehej gjithë ajo që na është rrëmbyer nga pasuria, ku bëhet fjalë për subjekte ekonomike në Kosovë, populli ynë nuk do të kishte kurrfarë problemesh financiare dhe nuk do të kishte nevojë për shumë para me të cilat Serbia, me solidaritetin e vet, kontribuon që populli ynë të mbijetojë”, ka thënë ai.

Djuric ka theksuar se “nuk kërkojmë asgjë të huaj, kërkojmë vetëm atë që është jona” dhe ka përkujtuar se rezervat më të mëdha të Trepçës, sidomos pjesët e saj veriore, janë nën territorin e Serbisë dhe se rezervat minerare, edhe nga Prishtina, nuk bën të vihen në pikëpyetje”, ka thënë Djuric duke shtuar se është më së miri që të bisedohet për këtë dhe se ”nuk do të lejojmë askënd ta prekë pasurinë tonë”.

Erdogani: Kurrë nuk do ta gjunjëzojnë Turqinë

“Qëllimi i sulmit është të përhapë frikë mes popullatës dhe të ndalojë Turqinë nga objektivat, pretendimet, përparimin e bekuar të saj. Por kurrë nuk do t’ia arrijnë këtij qëllimi, kjo është e pamundur”

ANKARA – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev.

Presidenti Erdogan dhe homologu i tij Aliyev pas takimit dypalësh morën pjesë në takimin e 5-të të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë Turqi-Azerbajxhan.

Ndërsa më pas mes dy vendeve janë nënshkruar “protokolli për shkëmbimin e personelit ushtarak-civil me qëllim kulturor dhe social”, “marrëveshja për punësimin me qëllim për përfitim të të ardhurave të anëtarëve të familjeve të zyrtarëve me misione diplomatike dhe konsullore”, “marrëveshja e bazuar në bashkëpunimin në fushën e ekzaminimit mjeko-ligjor”, “marrëveshja për ndryshimin e lejeve të drejtimit dhe njehsimin e ndërsjellë”, “protokollin e bashkëpunimit teknik me deklaratën e përbashkët të takimit të 5-të të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë”.

Erdoğan ka rikujtuar se takimi i 5-të i Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë Turqi-Azerbajxhan do të mbahej në Baku, por për shkak të sulmit terrorist presidenti Aliyev vendosi që bashkë me delegacionin e tij të vinin në Ankara.

Presidenti Erdogan u shpreh më tej se: “Sulmi i ndërmarrë ditën e dielë në Ankara është një sulm i kryer kundër Turqisë, ndaj të gjithë 79 milionëve. Me këtë sulm organizata terroriste e ka treguar edhe njëherë fytyrën e saj të ulët dhe vrasëse. Qëllimi i sulmit është të përhapë frikë mes popullatës dhe të ndalojë Turqinë nga objektivat, pretendimet, përparimin e bekuar të saj. Por kurrë nuk do t’ia arrijnë këtij qëllimi, kjo është e pamundur. Ata që përdorin terrorizmin si mashë, ata që duan të mbyllin llogaritë mbi gjakun e të pafajshmëve nuk do ta gjunjëzojnë kurrë Turqinë, përkundrazi ato do të gjunjëzohen vetë”.

– “Azerbajxhani mik i ditëve të vështira”-

Presidenti turk ka theksuar se Azerbajxhani me solidarizimin e treguar menjëherë pas sulmit terrorist në Ankara ka treguar se është mik i ditëve të vështira. “Ata që mbështetjen ndaj terrorizmit, mbulimin e terroristit e paraqesin si ‘liri‘, ata që rendin pas përfitimeve politike pa u varrosur ende të vrarët duhet të marrin mësimin e duhur nga ky mesazh vëllazërie. Këto ngjarje dhe reagimet e dhëna vendosin qartë se çështja nuk është një bashkim vendesh, por bashkimi i frymës së unitetit dhe paqes e cila është edhe më e rëndësishmja”- u shpreh Erdoğan.

Ai ka vënë në dukje se si komb me mbështetjen e vendeve mike dhe vëllezër do të kapërcejnë këto probleme dhe sëbashku do të ndërtojnë Turqinë e re. Gjithashtu ka shprehur falënderimet në emër të popullit turk për Aliyev-in dhe për të gjithë azerbajxhanasit.

Erdoğan, ndër të tjera u shpreh se Turqia vazhdon të qëndrojë në mënyrë të vendosur në anë të Azerbajxhanit në çdo fushë dhe kryesisht në çështjen e Karabakut të Sipërm i cili mbahet i okupuar dhe ka shtuar se do të vazhdojnë të japin këtë mbështetje. aa

Serbia hetime për raketat e prodhimit amerikan në aeroplan

Autoritetet e Serbisë thonë se po zhvillojnë hetime pasi dy raketa të prodhimit amerikan, të tipit Hellfire, janë gjetur në një fluturim nga Libani.

Zyra e prokurorit publik të Serbisë ka njoftuar sot se po zhvillon hetime nëse në këto pako ka materiale eksplozive.

Në deklaratën e dërguar me email për agjencinë Associated Press, theksohet se hetimet, po ashtu, janë të fokusuara në çështjen se prej nga kanë ardhur raketat dhe cili ishte destinacioni i tyre final.

Zyrtarët thanë se ekipet me qen të specializuar i kanë gjetur raketat që ishin adresuar për në Shtetet e Bashkuara, në aeroplanin e kompanisë Air Serbia, në aeroportin e Beogradit, më 12 mars.

Ushtria e Libanit ka thënë se raketat ishin për qëllime trajnuese dhe se nuk përmbajnë eksploziv. Po ashtu, ushtria libaneze tha se ka vendosur t’i dërgojë ato prapa te kompania amerikane që i ka prodhuar.

Raketa me udhëheqje laserike e tipit AGM-114 Hellfire mund të shkrepet nga ajri, deti dhe toka.

Në shitje kështjella e Kontit Drakula

Thellë diku në Rumani, gjendet kështjella e Kontit Drakula… Një kështjellë e shekullit të 12 që frymëzoi dhe në të njëjtën kohë mori emrin nga personazhi kryesor i një novele shkruar në vitin 1897 nga Bram Stoker.

Ishte arkitektura magjepsëse dhe hija e rëndë e kësaj ndërtese që krijoi një histori tmerri, atë të sundimtarit dhe vampirit Drakula të etur për gjak.  Nëse nuk keni guxim  të lexoni librin apo të shihni filmin nuk do e merrni dot me mend që kjo kështjellë tashmë ka dalë në shitje dhe mund të jetë e kujtdo.

Kështjella i përket pasardhësve të familjes mbretërore rumune, të cilët kanë kanë vendosur që prona të jetë një muze. Rreth gjysmë milion njerëz vizitojnë sallat e saj drithërues çdo vit.  Sipas Financial Times, pasuria e pazakontë mund të shitet për 13 milion dollarë.

drkl

Votuesit e ndëshkojnë kancelaren Merkel

 Në Gjermani, një parti kundër refugjatëve arriti fitore dramatike në zgjedhjet rajonale, fitore që pasqyrojnë zemërimin ndaj politikave të Kancelares Angela Merkel për emigrantët. Ndërkohë, sot, mijëra emigrantë u përballën me shiun dhe të ftohtit në kampin e Idomenit në Greqi pranë kufirit me Maqedoninë.

Partia kundër refugjatëve, Alternative für Deutschland (AFD), ka tronditur skenën politike të Gjermanisë me fitoret e saj të bujshme në zgjedhjet rajonale, duke hyrë për herë të parë në parlamentet e landeve  në tre rajone. Analistët i shohin këto rezultate si rrjedhojë e zemërimit ndaj politikave të emigracionit të ndjekura nga Kancelarja Merkel.

“Peizazhi në Gjermani po ndryshon sepse ne kemi tani një parti në krahun e djathtë. Në të kaluarën kemi pasur vetëm partitë e mëdha konservatore, por tani kemi një parti të vogël të djathtë populiste, që është diçka e re për Gjermaninë,” thotë analisti Gero Neugebauer.

AfD është një parti që nuk ekzistonte tre vjet më parë, madje vitin e kaluar ishte në prag të shpërbërjes. Dalja në skenë e kësaj partie shkaktoi habi në këto zgjedhje.

“Arsyeja kryesore është politika e migracionit. Nuk ka më kuptim ta shmangim këtë temë. Do të duhet një kohë të gjatë për të sprapsur zhvillimet e gjashtë muajve të fundit. Që nënkupton një ndryshim tektonik të peizazhit politik në Gjermani,” thotë Horst Seehofer, kryeministër i Bavarisë.

Në Saksoni-Anhalt të ish-Gjermanisë lindore, kjo parti e lidhur me lëvizjen e ekstremit të djathtë PEGIDA ka fituar 24.4%, sipas sondazheve të para, duke u bërë kështu partia e dytë më e madhe pas CDU-së në pushtet. Fitoret e saj janë të ndjeshme edhe në landet Rheinland-Pfalz dhe Baden-Württemberg.

Edhe Kancelarja Merkel e pranoi se paraqitja e dobët e konservatorëve të saj në zgjedhje ishte një ditë e vështirë për partinë. Por ajo premtoi se do të vazhdojë të ngulë këmbë për një zgjidhje mbarëevropiane të krizës së emigracionit.

“Pa dyshim, ne kemi ne kemi bërë një rrugë të gjatë drejt zgjidhjes së çështjes së emigracionit, por ende nuk kemi një zgjidhje të qëndrueshme. Jam plotësisht e bindur se kemi nevojë për një zgjidhje europiane dhe se kjo kërkon kohë,” tha zonja Merkel.

Ndërkohë, sot, mijëra emigrantë u përballën me një ditë tjetër vuajtjesh në kampin e Idomenit në Greqi. Rreth 12 mijë njerëz janë bllokuar në fushat me baltë midis Greqisë dhe Maqedonisë me shpresën se takimi i nivelit të lartë i BE-së më 17 mars mund të çojë në rihapjen e rrugës së migrimit përmes Ballkanit.

Baris, nga Afganistani, jeton në një tendë të vogël që me vështirësi e mbron nga të ftohtit dhe shiu:

“Kam ndërmend të rri këtu dy-tre ditë deri sa të bëhet takimi. Nëse ata nuk vendosin, do të më duhet të shkoj në Athinë, sepse këtu bën shumë ftohtë.”

Udhëheqësit e BE-së dhe Ankaraja do të takohen për herë të dytë këtë muaj, për të nënshkruar një marrëveshje që synon frenimin e fluksit të emigrimit të paligjshëm nga Turqia në Evropë përmes Greqisë.

Ankara – një nga dy autorët e sulmit ishte një militante kurde

Zyrtarët turq të sigurisë thanë sot se një nga dy autorët e sulmit të së dielës në Ankara, ku u vranë të paktën 37 persona, ishte një militante kurde. Autoritetet nuk nxorën emrin e saj, por thanë se ajo ka lindur në vitin 1992, ka jetuar në qytetin lindor turk, Kars dhe në vitin 2013 ajo ishte bashkuar me kryengritësit kurdë të Partisë Punëtore të Kurdistanit, PKK. Sulmi në Ankara nxiti reagime dhe u dënua nga autoritetet vendase dhe komuniteti ndërkombëtar

Shpërthimi ndodhi në afërsi të sheshit Kizilay, një qendër tregtare dhe transporti pranë ambasadave të huaja dhe ndërtesave qeveritare.

Autoritetet thonë se ky ishte një sulm me makinë bombë që kishte në shënjestër civilët në një stacion autobusi. 125 vetë u plagosën.

Ankaraja është goditur nga disa shpërthime muajt e fundit, duke përfshirë një sulm me makinë bombë në shkurt që vrau të paktën 29 persona. Qeveria fajësoi për sulmin një sirian që kishte lidhje me kryengritësit kurdë.

Efkan Ala, Ministër i Brendshëm turk:

“Lufta jonë kundër terrorizmit, për ruajtjen e demokracisë, unitetit dhe integritetit të vendit, nuk do të ndalet. Ajo do të vazhdojë me vendosmëri”.

Turqia po lufton kundër Partisë Punëtore të Kurdistanit, ose PKK, e cila ka zhvilluar një luftë guerilase 30-vjeçare për autonominë e kurdëve në Turqinë juglindore.

Turqia gjithashtu është vënë në shënjestër nga grupi Shteti Islamik, i cili u fajësua për një shpërthim vetëvrasës tetorin e kaluar në një tubim paqësor në Ankara ku u vranë më shumë se 100 njerëz. Ky ishte sulmi më  i përgjakshëm terrorist që nga krijimi i shtetit modern të Turqisë në vitin 1923.

Ndërkohë Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë mbledhur sot në Bruksel për të diskutuar bisedimet e paqesë për Sirinë që pritet të fillojnë sot në Gjenevë të Zvicrës.  Sekretari i jashtëm britanik, Philipp Hammond, i cili po merr pjesë në këtë takim, dënoi sulmin në Ankara.

Philipp Hammond, Sekretari i Jashtëm britanik:

“Dua t’u shpreh ngushëllime popullit të Turqisë dhe atij të Bregut të Fildishtë për humbjen e jetëve në incidentet e djeshme terroriste, dhe ashtu siç e prisni edhe ju, ne do të qëndrojmë me ju dhe popujt e vendeve të tjera të botës që përballen me sfidën e terrorizmit”.

Sulmi i së dielës ndodhi dy ditë pasi ambasada amerikane në Ankara lëshoi një paralajmërim në lidhje me mundësinë e një komploti të mundshëm terrorist në qendër të Ankarasë.

Shtetet e Bashkuara menjëherë dënuan sulmin dhe riafirmuan “partneritetin e fortë me aleatin e NATO-s, Turqinë në luftën kundër kërcënimit të përbashkët terrorist”.

Beograd, gjenden dy raketa me eksploviz në bordin e avionit, destinacion SHBA (fotot)

BEOGRAD- Dy raketa janë gjetur në një avion me pasagjerë në Serbi. Sipas informacioneve që përcjell “Associated Press”, mësohet se avioni Air Serbia ishte nisur nga Bejruti i Libanit dhe kishte zbritur në Beograd, ndërsa destinacion kishte Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Po sipas AP, bëhet e ditur se raketa ishte e prodhimit amerikan VGM-114 Hellfire, ndërsa avioni e kishte pikëmbërritjen e tij në qytetin Portland në shtetin Oregon të SHBA.

bggv

Greqi, politikani gjerman do ta kalojë natën me refugjatët

Bleum, ish-anëtar i Unionit Kristiano-Demokratik (CDU) dhe ministër i Punës nga 1982 deri 1998 ka ardhur në kampin e refugjatëve në Idomeni ku ndodhen rreth 12 mijë persona

IDOMENI – Mediat greke kanë raportuar se Norbert Bluem (80), ish-ministri gjerman i Punës, ka planifikuar që të kalojë natën në kampin e refugjatëve në shenjë solidariteti me refugjatët të cilët janë ‘bllokuar’ në Idomeni në kufirin midis Greqisë dhe Maqedonisë.

Bleum, një ish-anëtar i Unionit Kristiano-Demokratik (CDU) dhe ministër i Punës nga viti 1982 deri në 1998 ka ardhur në kampin e refugjatëve në Idomeni ku ndodhen rreth 12 mijë persona, kryesisht sirianë dhe irakianë.

Mbi 127 mijë foshnja siriane kanë lindur në Turqi

Turqia ka hapur dyert e saj për 2.7 milionë refugjatë, ndërsa Drejtoria për situata emergjente dhe Mbrojtje civile (AFAD) ka formuar 26 qendra të përkohshme të refugjatëve

ANKARA – Miliona sirianë për shkak të luftës disa vjeçare në atë vend janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa vetëm në Turqi kanë lindur 127 mijë e 752 foshnja siriane.

Turqia ka hapur dyert e saj për 2.7 milionë refugjatë, ndërsa Drejtoria për situata emergjente dhe Mbrojtje civile (AFAD) ka formuar 26 qendra të përkohshme të refugjatëve. Në këto qendra gjithmonë ndodhen mbi 280 mijë sirianë.

Zëvendëskryeministri i Turqisë Yalcin Akdogan më 10 mars, tha se në Turqi ndodhen 2 milionë e 733 mijë e 784 refugjatë sirianë.

Siç mëson gazetari i AA-së, sirianët që kanë ardhur në Turqi, që nga viti 2011 marrin ndihmë mjekësore nga Ministria e Shëndetësisë të Turqisë. Nga prilli i vitit 2011 deri në janar të vitit 2016, janë ofruar më shumë se 15 milionë shërbime të poliklinikës.

Turqia gjatë krizës siriane e deri sot ka investuar nëntë miliardë dollarë në përkujdesjen e refugjatëve sirianë. Vëmendje e veçantë i është kushtuar shkollimit të fëmijëve refugjatë, si dhe në arsimimin e të rriturve të cilët pas luftës duhet të ndihmojnë në “ngritjen e vendit të tyre”.

Nikoliç falenderon Putin për rolin në mos anëtarësimin e Kosovës në UNESCO!

Voal – Rusia dhe Serbia kanë hedhur një hap simbolik në përforcimin e marrëdhënieve të veta, që po vendosen në mënyrë eksplicite edhe mbi baza të solidaritetit. Në një takim të presidentit serb Tomislav Nikoliç dhe atij rus, Vladimir Putin në Kremlin të mërkurën, ky i fundit ka folur për rolin e Serbisë në mbrojtjen e vlerave të kristianizmit lindor. “Ju po bëni shumë për të mbrojtur dhe promovuar vlerat dhe traditat e kristianizmit lindor. Do të doja t’iu përgëzoja dhe falenderoj për përpjekjet tuaj në këtë çështje”, tha Putin, pasi Nikoliç u nderua me çmimin e Fondit Ndërkombëtar të Bashkimit të Kombeve Ortodokse.

Presidenti i Rusisë i tha Nikoliçit se ai e meriton këtë çmim.

Nga ana e vet presidenti serb ka vlerësuar veton ruse në Kombet e Bashkuara për çështjen e Srebrenicës, duke bërë një analogji me hyrjen në Luftën e Parë Botërore, të Carit të Rusisë, “për të mbrojtur vëllezërit serbë”(http://www.b92.net/eng/news/politics.php?yyyy=2016&mm=03&dd=10&nav_id=97333).

Unë personalisht jam mirënjohës për atë që keni bërë për Serbinë vitin e kaluar, dhe në të gjitha vitet e fundit. Ju nuk mund ta imagjinoni se sa mirënjohës ndihet Serbia për dy akte tuaj që kanë të bëjnë me të ardhmen e Serbisë, por edhe për Republikën serbe”, ka thënë Nikoliç, duke shpjeguar se kjo mirënjohje lidhet me bllokimin që bëri Rusia bllokon rezolutës për Srebrenicën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së si dhe parandalimin e anëtarësmit të Kosovës në UNESCO.

Ky takim i vjen ndesh përpjekjes së forcave të caktuara në Serbi për anëtarësim në NATO dhe vendosjen si prioritare të marrëdhënieve me Perëndimin.

Erdogani: Turqia nuk do ta njohë aneksimin e paligjshëm të Krimesë

Në fjalën e tij presidenti Erdogan ka pohuar se Turqia nuk e ka njohur aneksimin e paligjshëm të Krimesë dhe gjithashtu nuk do ta njohë më pas

ANKARA – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka mbajtur një konferencë të përbashkët me presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko.

Në fjalën e tij presidenti Erdogan ka pohuar se Turqia nuk e ka njohur aneksimin e paligjshëm të Krimesë dhe gjithashtu nuk do ta njohë më pas.

Pas takimit kokë më kokë në rezidencën presidenciale Erdogan dhe Poroshenko morën pjesë në sesionin e Këshillit Strategjik të Nivelit të Lartë Turqi-Ukrainë ku dhe kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp.

Gjithashtu theksohet se mes kryetarit të Bordit Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm i AA-së, Şenol Kazancı dhe ambasadorit të Ukrainës në Ankara, Sergiy Korsunsky, është nënshkruar një marrëveshje e bashkëpunimit mes Anadolu Agency dhe Agjencisë së Lajmeve të Ukrainës (UKRINFORM). Ndërsa është nënshkruar edhe një memorandum mirëkuptimi mes Sekretariatit të Përgjithshëm të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Këshillit Kombëtarë të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës si dhe është nënshkruar një deklaratë e përbashkët në lidhje me rezultatet e takimit të pestë të Këshillit Strategjik të Nivelit të Lartë Turqi-Ukrainë.

Erdoğan ka uruar që të jetë në shërbim të të mirës për dy vendet ky takim i cili po kryhet në një periudhë kritike dhe ka shprehur se takimet e ndërsjella të nivelit të lartë në kohët e fundit mes dy vendeve po zhvillohen një mënyrë shumë të veçantë si për Ukrainën ashtu edhe për Turqinë. aa

Baza ushtarake ruse në Nish, molla e re e sherrit në Beograd

Voal – Moska i kërkon Serbisë që të rinovojë kontratën, për të vazhduar të ashtuquajturën “Qendrën Humanitare në Nish”, që nuk është gjë tjetër vetëm se një bazë ushtarake e Moskës, e kamufluar si civile.

Deklarata e parë që ka bërë Presidenti serb Tomislav Nikoliç, pas shpërbërjes së Parlamentit serb dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme më 24 prill, ka qenë pikërisht për çështjen e bazës ushtarake ruse.

“Qeveria që do të zgjidhet pas votimeve duhet të shprehet mbi vazhdimësinë e kontratës me qeverinë e Rusisë për Qendrën Humanitare në Nish”, tha Nikoliç para gazetarëve.

Presidenti i Serbisë do të zhvillojë më 9 mars një vizitë zyrtare në Rusi, i ftuar nga homologu i tij, Vladimir Putin.

Nikoliç u pyet nga gazetarët, nëse është konsultuar me Putin para vizitës, për situatën e bazës ushtarake të Nishit. Ai u përgjigj se “Serbia aktualisht nuk ka një qeveri që të rinovojë kontratën e firmosur në vitin 2014 që tani i ka mbaruar afati”.

Me këtë deklaratë Nikoliç ka hedhur një argument të fuqishëm për të ushqyer fushatën elektorale.

Një nga partitë nacionaliste siç është DS e Vojisllav Koshtunicës, ka marrë pozicione të forta proruse dhe i ka rritur financimet.

Mediat opozitare serbe akuzuan kompani dhe qarqe ruse për ndihmë financiare të partisë së Koshtunicës.

Nëse DS do të rrisë kuotat në parlamentin serb, ajo shikohet si një nga aleatët e rëndësishëm për formimin e qeverisë së bashku me Aleksandër Vuçiçin.

Një eksponent i njohur i kësaj partie, Predrag Markoviç, i cili ka qenë president i Serbisë, shikohet si kandidat i mundshëm për të zëvendësuar Ivica Daçiçin në postin e ministrit të Jashtëm.

Markoviç, vetëm disa ditë më parë sulmoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen e vdekjes së dy diplomatëve serbë në Libi.

Prej dy vjetësh në qytetin e Nishit, i cili ndodhet afër Kosovës dhe ka në varësi administrative dhe Preshevën, ndodhet një bazë e madhe ushtarake ku janë të instaluar avionë dhe helikopterë të prodhimit rus. E ngritur si Qendër e Emergjencave Civile, ajo ka në territor pak mjete që të duken si civile. Kryesuesi i qendrës është një gjeneral rus i forcës ajrore dhe që ka shërbyer për një kohë të gjatë si zbulues i shërbimit sekret ushtarak.

Ndërkaq, si qendër emergjencave, ajo është e mbyllur fare për publikun dhe asnjëherë nuk është zbuluar çfarë ka brenda, ndërkohë që herë pas here në aerodromin e bazës ulen avionë dhe helikopterë ushtarakë.

NATO dhe qeveria e SHBA-së, i kërkoi zyrtarisht Serbisë largimin e bazës ruse, gjatë krizës së Ukrainës. Kjo situatë e ka vënë në siklet qeverinë e Aleksandër Vuçiçit e cila synon të fitojë zgjedhjet duke marrë votat e elektoratit të moderuar, i cili kërkon hyrjen në Bashkimin Europian./tesheshi.com/

Vuçiçi: Mosantarësimi i Kosovës në UNESCO, sukses i imi

Kryeministri serb Aleksander Vuçiç ka bërë të ditur se zgjedhjet e parakohshme në Serbi do të mbahen më 24 prill.

Vuçiçi ka thënë se Qeveria do t’ia dërgojë presidentit serb Tomislav Nikoloq arsyetimin.

Ai ka bërë të ditur se zgjedhjet mund të jenë më 24 prill kurse brenda dy ditësh, Qeveria do të i’a dërgojë arsyetimin presidentit.

Vuçiq, ka numëruar sukseset e Qeverisë së tij duke numëruar edhe mosanëtarsimin e Kosovës në UNESCO.

Aeroporti i tretë në Stamboll, megaprojekt botëror

Pjesa e parë e aeroportit të ardhshëm më të madh në botë do të hapet në shkurt të 2018-ës

STAMBOLL – Ndërtimi i aeroportit të tretë në Stamboll është duke vijuar sipas planifikimit. Aktualisht në këtë megaprojekt punojnë rreth 13 mijë punëtorë nga 15 vende të botës.

Pjesa e parë e aeroportit të ardhshëm më të madh në botë do të hapet në shkurt të vitit 2018, kurse ekipi i AA-së nga qielli ndoqi momentet e ndërtimit të cilat më së miri flasin për madhësinë e aeroportit, ku pjesa e parë do të ketë kapacitet prej 200 milionë pasagjerë në vit.

Në periudhën e ardhshme, gjatë punimeve të mëdha ndërtimore në aeroport do të punojnë edhe deri në 30 mijë njerëz. Është një projekt me vlerë prej 10.25 miliardë eurosh, të aeroportit, i cili për nga madhësia dhe përmbajtja do të jetë një qytet i vogël dhe do të ketë kapacitet vjetor prej 150 milionë pasagjerësh.

Vuçiçi: BE-ja s’është më aq tërheqëse

Bashkimi Evropian nuk është më aq shumë tërheqës për vendet e Ballkanit, falë krizës me emigrantë dhe largimit të mundshëm të Britanisë nga blloku, ka thënë kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiçi.

Duke folur për gazetarët në Londër, Vuçiçi ka thënë se Serbia ende shpreson t’i bashkohet bllokut, pasi tashmë ka nisur bisedimet formale të anëtarësimit.

Por, BE-ja “ka humbur fuqinë e saj magjike” për vendet që synojnë t’i bashkohen, ka thënë Vuçiçi.

“Ne të gjithë duam t’i bashkohemi, por nuk është ëndërr aq e madhe siç ka qenë në të kaluarën”, ka shtuar ai.

Vuçiq po ashtu ka thënë se Serbia nuk do të brakstisë marrëdhëniet e saj të ngushta me Moskën për t’iu bashkuar BE-së, pavarësisht sanksioneve që BE-ja i ka vendosur Rusisë.

Vuçiçi: Ta ndërtojmë sa më shpejt autostradën e paqes Nish-Prishtinë

LONDËR– Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiçi, nënvizoi sot urgjencën për fillimin e punimeve për ndërtimin e autostradës Nish-Prishtinë, një arterie e quajtur ndryshe nga shefi i qeverisë serbe edhe si autostrada e paqes, e destinuar të lidhë në mënyrën më të mirë dy popujt, atë serb dhe shqiptar, historikisht rivalë.

“Kjo do të jetë autostrada e paqes dhe jam i bindur se do të jetë mënyra më e mirë për të lidhur Beogradin me Prishtinën. Ne i kërkojmë BERZH-it që të na ndihmojë”, theksoi Vuçiç.

Kryeministri serb po merr pjesë, në Londër, në një takim të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për investime në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë takim marrin pjesë të gjithë kryeministrat e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Lirohen tre gazetarët e agjencisë Anadolu Agency, të rrëmbyer nga organizata terroriste PKK

Tre gazetarë të agjencisë zyrtare turke të lajmeve, Anadolu Agency (AA), të rrëmbyer nga militantë të organizatës terroriste të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) një ditë më parë gjatë kryerjes së detyrës së tyre në Nusajbin të Mardinit, u liruan, njoftoi agjencia e sipërcituar.

Gazetari specialist si korrespondent lufte, Rauf Maltash, fotoreporteri Onur Çoban dhe kameramani Kenan Yesilyurt, u rrëmbyen nga militantë të PKK-së në qarkun Nusaybin të Mardinit.

Gazetarët i janë dorëzuar sot një delegacioni të kryesuar nga deputeti i partisë HDP të këtij qyteti, Ali Atalan dhe kryetarit të kësaj partie në Mardin, Ferhat Kut.

Gazetarët janë dërguar për të dhënë informacion të mëteshëm në drejtorinë e policisë së Nusajbinit. Ndërkohë, vihet në dukje se militantët nuk kanë kthyer pajisjet e gazetarëve.

Beograd: Qindra nacionalistë serbë prorusë protestuan kundër NATO-s

Pamje gjatë një proteste të mëparshme kundër NATO-s në Beograd

Qindra nacionalistë serbë dhe prorusë e kanë mbajtur një protestë kundër marrëveshjes së qeverisë së Serbisë, e cila krijon lidhje më të afërta me NATO-n.

Gjatë protestës së djeshme në qendër të Beogradit, pjesëmarrësit kanë brohoritur slogane kundër aleancës perëndimore ushtarake, kundër liderëve të Serbisë dhe e kanë bartur portretin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, së bashku me flamuj rusë.

Serbia ka lidhje historike me aleativ sllav, Rusinë, por kurrë nuk ishte pjesë e bllokut sovjetik dhe aktualisht dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, raporton agjencia AP nga Beogradi.

Presidenca ruse dhe organizatat e saj mediale në Serbi, e kanë lansuar një fushatë kundër perëndimit, përfshirë kundërshtimin e marrëveshjes aktuale të qeverisë, që trupave të NATO-s në Kosovë, tu lejohet kalim i papenguar nëpër Serbi.

Nacionalistët e krahut të djathtë dëshirojnë që Serbia kurrë të mos jetë pjesë e NATO-s, e cila e bombardoi këtë vend në vitin 1999, lidhur me Kosovën.

Profile të 3 gazetarëve të rrëmbyer nga PKK

Gazetari me përvojë i AA-së i cili gjithashtu ka marrë trajnim për korrespondent lufte, Rauf Maltash, fotoreporteri Onur Çoban dhe kameramani Kenan Yesilyurt, një javë më parë ishin dërguar me detyrë në qarkun Nusaybin të Mardin-it

MARDIN – Organizata terroriste ka rrëmbyer 3 gazetarë të Anadolu Agency (AA) në qarkun Nusaybin të qytetit juglindor të Turqisë, Mardin.

Gazetari me përvojë i AA-së i cili gjithashtu ka marrë trajnim për korrespondent lufte, Rauf Maltaş, fotoreporteri Onur Çoban dhe kameramani Kenan Yesilyurt, një javë më parë ishin dërguar me detyrë në qarkun Nusaybin të Mardin-it.

Gazetarët të cilët ishin duke i ndjekur zhvillimet në vend, një ditë më parë gjatë xhirimit në Lagjen Yenishehir u rrëmbyen nga militantë të organizatës terroriste PKK.

Gazetarët thuhet se janë duke u mbajtur në një vend i cili ende nuk dihet thuhet se janë rrëmbyer me pretendimin se “bëjnë xhirime pa kërkuar leje nga PKK-ja”. Ndërkohë kamerat dhe aparatet fotografike të gazetarëve janë marrë nga militantët.

Gazetarët e rrëmbyer dhe ndaj të cilëve ka 48 orë që nuk ka asnjë lajm më parë kanë shërbyer në vende të ndryshme të rëndësishme si Egjipt, Libi, Tunizi, Jemen dhe Siri. Ata kanë shërbyer dhe raportuar shumë lajme të rëndësishme për Anadolu Agency deri më sot nga brenda dhe jasht vendit.

– Onur Çoban

Onur Çoban lindi në Mush të Turqisë në vitin 1980. Në vitin 2004 ai mbaroi studimet në Fakultetin e e Shkencave të Komunikimit pranë Universitetit Gazi të Ankarasë. Çoban ka shërbyer si foto reporter në gazetën Zaman në vitet 2006 – 2011. Ai ka filluar karrierën e tij në Anadolu Agency në vitin 2012.

Çoban ka shërbyer si foto reporter i AA në shumë vende të botës krahas shërbimeve të tij brenda Turqisë. Ai është nderuar me çmim të parë në fotografi në vitin 2012 nga Shoqata e Foto-reporterëve të Turqisë (TFMD).

– Kenan Yeşilyurt

Kenan Yeşilyurt u lind në Kelkit të Gümüşhane-s. Në vitin 2007 ai ka filluar karrierën e tij si kameraman pranë Anadolu Agency. Krahas Turqisë ai ka shërbyer si kameraman në shumë vende të botës për AA. Ai ka qenë prezent gjatë një sulmi të forcave izraelite mbi godinën ku ndodhet zyra e AA në Palestinë.

Yeşilyurt ka marrë edhe një çmim nga Shoqata e Kameramanëve të Turqisë për një video të xhiruar në Siri në vitin 2012.

– Rauf Maltaş

Rauf Marltaş lindi në vitin 1985 në Malatya. Ai mbari studimet në Fakultetin e Shkencave të Komunikimit pranë Universitetit Selçuk në Konya. Maltaş filloi karrierën e tij në Anadolu Agency në vitin 2009. Maltaş ka shërbyer si gazetar i AA në çështje të ndryshme por më të spikaturat janë lajmet lidhur me krizën në Siri. Maltaş ka njohur botën me krizën e Kobani-t dhe dramën e kurdëve në këtë rajon.

PKK rrëmben 3 gazetarë që punojnë për Anadolu Agency në Mardin të Turqisë

Gazetarët thuhet se janë duke u mbajtur në një vend i cili ende nuk dihet

MARDIN- Në qarkun Nusaybin të qytetit juglindor të Turqisë, Mardin, 3 gazetarë të Anadolu Agency të cilët ndjekin lajmet në këtë rajon, janë rrëmbyer nga militantë të organizatës terroriste PKK.

Gazetarët thuhet se janë duke u mbajtur në një vend i cili ende nuk dihet. Ndërkohë kamerat dhe aparatet fotografike të gazetarëve janë marrë nga militantët.

Davutoglu: Nuk falim asnjë anëtar të NATO-s të krijojë lidhje me një organizatë terroriste që drejton sulm ndaj nesh

“Salih Neccar, i cili e ka kryer këtë sulm vetëvrasës ka lindur në vitin 1992 në qytetin Amuda në veri të Sirisë. Janë zbuluar lidhjet e drejtpërdrejta të sulmit me YPG-në”, deklaroi Davutoglu

ANKARA – Kryeministri turk Ahmet Davutoglu duke theksuar se çështja e autorëve të sulmit terrorist në Ankara është zbardhur e tëra deklaroi se “Në mënyrë të qartë është zbuluar se ky sulm është kryer nga një person anëtar i YPG-së i infiltruar nga Siria dhe në bashkëpunim me anëtarët e organizatës terroriste brenda Turqisë”.

Kryeministri Davutoglu për shkak të sulmit terrorist në Ankara zhvilloi një vizitë ngushëllimi tek Kreu i Shtabit të Përgjithshëm, Hulusi Akar.

Davutoglu i cili pas takimit dha deklarata për gazetarët, duke theksuar se sulmi i djeshëm është kryer kundër kombit të shenjtë, ushtarëve dhe punonjësve civilë të cilët ishin duke kryer një mision të ndershëm në Forcat e armatosura, u shprehi ngushëllime Forcave të armatosura.

Ai tha se çështja e autorëve nga sulmi i mbrëmshëm është zbardhur tërësisht. “Në mënyrë të qartë është zbuluar se ky sulm është kryer nga një person anëtar i YPG-së i infiltruar nga Siria dhe në bashkëpunim me anëtarët e organizatës terroriste brenda Turqisë”, tha Davutoglu.

Kryeministri turk tha se thirrja e tij e dytë është për partitë politike, organizatat e shoqërisë civile. “Çfarë do që të jetë burimi, kush do që të jetë vegla, kundër terrorizmit duhet të qëndrojmë krah për krah”, porositi Davutoglu.

“Dënoj ashpër qëndrimin e papajtueshëm të një partie në lidhje për publikimin e një deklarate të përbashkët. Nuk kanë të drejtë të flasin për demokraci ata njerëz të cilët edhe për çështjen e terrorizmit nuk vendosin një qëndrim dhe nuk dënojnë këtë sulm të ndërmarrë ndaj njerëzve të pafajshëm të cilët ishin duke u kthyer në shtëpi pas punës për t’u ulur në shtëpitë bashkë me fëmijët e tyre. Detyra jonë parësore, misioni ynë kryesor për të cilën ndjejmë përgjegjësi ndaj kombit dhe historisë sonë, është se duke e mbrojtur unitetin, tërësinë e këtij vendi në këtë rreth të zjarrit ta vazhdojë mbijetesën, të përforcohemi dhe të arrijmë fuqinë me të cilën mund të luftojmë kundër të gjithë këtyre sfidave”, tha ai.

Davutoglu duke vazhduar më tej tha se, “Dje ky sulm terrorist edhe pse u bë në afërsi të parlamentit tonë, parlamenti vazhdoi ti kryejë punimet e tij. Mendoj se ky është një zhvillim i admirueshëm. Pasi që u konsultova me nënkryetarët e grupeve parlamentare i dhashë këtë udhëzim: Objektivi kryesor i fokuseve terroriste është, të atrofohet jeta politike, jeta sociale, të ngadalësohet. Parlamenti turk nuk do ti ndalë seancat e tij, e drejta i është dhënë nga populli ynë, çfarë do qoftë të ndodhë”.

Kryeministri i Turqisë Davutoglu gjithashtu ka deklaruar se: “Nuk do të falim asnjë vend anëtar të NATO-s kryesisht Shetet e Bashkuara të Amerikës, apo ndonjë vend tjetër që kemi qëndruar krah për krah në Afganistan të krijojë lidhje me një organziatë terroriste e cila drejton një sulm ndaj nesh në zemër të Turqisë dhe ne në lidhje me këtë çështje qëndrimin tonë e shprehim në mënyrën më të qartë”. aa

Kurtulmush: 28 të vrarë dhe 61 të plagosur nga sulmi terrorist në Ankara

“Sa më shpejt të jetë e mundur do të nxjerrim në dritë se kush e ka organizuar këtë sulm terrorit”

ANKARA- Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht zëdhënësi i qeverisë së Turqisë, Numan Kurtulmush, në një deklaratë për shtyp tha se sot rreth orës 18:31 është organizuar një sulm terrorist ndërkohë që një autobus i cili transportonte efektivë të ushtrisë turke kishte ndaluar në një kryqëzim. Kurtulmush tha gjithashtu se 28 persona kanë humbur jetën dhe 61 të tjerë janë plagosur nga ky sulm terrorist, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke nënvizuar se në mesin e personave të cilët kanë humbur jetën ka civilë dhe ushtarakë Kurtulmuş u shpreh: ”Të gjitha të dhënat dhe informacionet po përpunohen me një profesionalizëm të plotë. Deri më tani nuk kemi ndonjë informacion të saktë për grupin që ka kryer sulmin. Një deklaratë e tillë deri më tani nuk është bërë. Sa më shpejt të jetë e mundur do të nxjerrim në dritë se kush e ka organizuar këtë sulm terrorit”.

Në vazhdim të fjalës së tij Kurtulmuş tha se “rreth 3 minuta pas shpërthimit ambulancat kanë arritur në vendngjarje. 32 ambulanca kanë transportuar të plagosurit në spitale të ndryshme. Për një kohë shumë të shkurtër një ekip prej 7 prokurorësh ka arritur në vendngjarje për të trajtuar këtë çështje me përpikmëri dhe profesionalizëm”.

– Pretendimet për një shpërthim të dytë –

Kurtulmuş në vijim të fjalës së tij në lidhje me pretendimet për një shpërthim të dytë tha se ka pasur një shpërthim të dytë, por ky shpërthim ka qenë për të asgjësuar një pako të dyshimtë dhe është kryer në mënyrë të kontrolluar nga efektivët e policisë. “Dua të them hapur dhe prerë që ne dënojmë ashpër grupet dhe shërbimet inteligjente të cilat kanë ndihmuar në logjistikë dhe në armë e municione, madie edhe ata të cilët kanë ndihmuar nga ana politike” shtoi zëdhënësi i qeverisë turke.

Ai në vazhdim të fjalës së tij duke nënvizuar që organizata që ka bërë këtë sulm terrorist nuk është një grup pre 3 apo 5 personash ka thënë se është një sulm barbarë dhe i poshtër, i bërë kundrejt të gjithë popullit turk dhe i planifikuar mirë.

Davutoglu pas shpërthimit në Ankara anulon vizitën në Bruksel

Kryeministri Davutoglu ka mbërritur në Qendrën e Përgjithshme të Partisë AK ku dhe ka marrë informacione në lidhje me shpërthimin

ANKARA – Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, për shkak të shpërthimit në Ankara ka anuluar vizitën e tij në Bruksel.

Kryeministri Davutoglu gjatë daljes pas takimit të Bordit të Lartë të Shkencës dhe Teknologjisë ka pohuar se: “Informacionet më kanë ardhur, do të shohim”. Më pas kryeministri Davutoglu ka mbërritur në Qendrën e Përgjithshme të Partisë AK ku dhe ka marrë informacione në lidhje me shpërthimin.

Pas 30 minutash kryeministri Davutoglu është drejtuar drejt rezidencës presidenciale për të marrë pjesë në takimin e sigurisë i cili do të mbahet nën drejtimin e presidentit, Recep Tayyip Erdogan.

Ndër të tjera mësohet se është anuluar vizita që Davutoglu do të mbante këtë mbrëmje në Bruksel. aa

Shpërthim në Ankara, 5 të vdekur dhe 10 të plagosur

ANKARA – Në Ankara ka ndodhur një shpërthim gjatë kalimit të mjeteve të shërbimit ushtarak në rrugën Merasim e cila bulevardin İnönü e lidh me rrugën Dikmen.

Sipas informacioneve të para pesë persona kanë humbur jetën dhe dhjetë të tjerë janë plagosur.

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu në pyetjën në lidhje me ngjarjen u përgjigj se, “Informacioni ka ardhur, do të shikojmë”.aa

Serbia e mbytur në borxhet e Titos

Borxhi publik i Serbisë aktualisht është 24.8 miliardë euro

Këtë vit arka e shtetit të Serbisë do të “boshatiset” edhe nga 300 milionë euro që janë borxhe të vjetra nga koha e Titos, të cilat Beogradi duhet t’i paguajë. Në atë kohë kryeministër i Jugosllavisë ishte Veselin Gjuranoviç.

Sipas gazetës serbe “Blic”, bëhet fjalë për barrën më të madhe kreditore që Serbia sivjet duhet ta kthejë, rreth 289.2 milionë euro.

Kreditë, Serbia duhet t’ua kthejë klubeve të Parisit e të Londrës, Bankës Botërore dhe asaj Investuese Europiane. Shuma e përgjithshme është 8.8 miliardë euro. Më së shumti duhet t’i kthehet Klubit të Parisit 103.6 milionë euro, Bankës Botërore 74.7 milionë, Klubit të Londrës 53.8 milionë dhe BE-së 44.7 milionë euro.

Borxhi publik i Serbisë aktualisht është 24.8 miliardë euro.

Bosnjë: U arrestuan tre ish-policë serbë me akuza për krime lufte

Darko Mërgja gjatë procesit kundër tij në Hagë

Ish-polici serb në Bosnjë, Darko Mërgja, i dënuar për krime të luftës të kryera gjatë luftës në periudhën 1992-95, është arrestuar lidhur me akuza të reja.

Policia në Bosnjë ka njoftuar dje se i akuzuari Mërgja, së bashku me dy pjesëtarë të njësisë së tij policore, Radenko Martinoviq dhe Millan Gavrilloviq, janë arrestuar dje.

Prokurorët i akuzojnë këta tre persona për vrasje të së paku 10 vetëve, të gjithë joserbë, që ishin dërguar në kampe arresti në qytetin veriperëndimor, Prijedor, në vitin 1992.

Në vitin 2004, Darko Mërgja ishte dënuar me 17 vjet burg nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për ish-Jugosllavinë, pasi e kishte pranuar fajësinë për pjesëmarrje në ekzekutimet masive të afro 200 civilëve myslimanë dhe kroatë, trupat e pajetë të të cilëve ishin hedhur në humnerë.

I akuzuari Darko Mërgja, 48 vjeçar, ishte liruar në vitin 2013, pasi i kishte vuajtur më tepër se dy të tretat e dënimit me burg dhe ishte kthyer në Bosnjë.

Nikoliçi: Serbia nuk e ndryshon kushtetutën për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, ka thënë se Kosova është pjesë përbërëse e Kushtetutës së Serbisë dhe ajo është pjesë integrale e shteti serb.

Sipas të përditshmes serbe ‘Vecernje Novosti’, Nikoliç ka thënë se megjithatë Serbia respekton veçantinë e statusit të Kosovën, por nuk e njeh pavarësinë e saj.

‘Para meje është Kushtetuta. Serbia e ka njohur veçantinë e statusit të Kosovës, e njohim palën kosovare për të negociuar me ta, por nuk e njohim pavarësinë’, tha Nikoliç.

Nikoliç shtoi se Serbia nuk do të ndryshojë ndonjë dokument që do të njihte Kosovën si shtet të pavarur, duke nënkuptuar këtu kushtetutën serbe.

Presidenti serb pohoi se Serbia është në negociata me shqiptarët me një dëshirë për të arritur një zgjidhje që do të lejojë një jetë të qetë mes dy vendeve.

‘Të gjithë duhet ta dinë dhe ta kuptojnë se ne kurrë nuk do të heqim dorë prej Kosovës’, tha ai.

BERZH mbledh udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor

Më 22 shkurt në Londër takimi i kryeministrave të vendeve të rajonit për të diskutuar mbi investimet dhe mundësitë e të bërit biznes

Kryeministrat e vendeve të Ballkanit perëndimor (Shqipërisë, Bosnjes, Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë), pritet të mblidhen së bashku në Londër javën e ardhshme me 22 shkurt, për të diskutuar rreth cështjes së investimeve dhe mundësive që ato ofrojnë për të bërë biznes në vendet e tyre. Ky është takimi i dytë i këtij lloji që organizohet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, pas atij të shkurtit të vitit 2014.

Do të jetë presidenti i BERZH-it Suma Chakrabarti dhe ministri i Jashtëm britanik Philip Hammond, që do të hapin konferencën, e cila do të vazhdojë më pas me panelin ku do të jenë të pranishëm kryeministrat e Ballkanit. Në tre panele të tjerë, ku do të diskutohet për zhvillimin e rrjeteve të Transportit, për energjinë e rinovueshme dhe axhendën e privatizimeve në Ballkanin Perëndimor, do të marrin pjesë anëtarë të kabineteve qeveritare, sipërmarrës dhe investitorë.

Takimi i nivelit të lartë, ka si synim nxitjen e investimeve të huaja direkte në rajon dhe projektet e përbashkëta ndërkufitare. Gjatë konferencës do të prezantohet nisja e një projekti të Berzh-it, një platformë e re rajonale për quotimin e titujve të bursave të Bullgarisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. Sipas një njoftimi për shtyp të BERZH-it, edhe Bursa sllovene dhe serbe kanë shprehur interesin për t’ju bashkuar kësaj nisem, e cila synon integrimin rajonal të tregjeve të kapitalit.

BERZH-i është ndër investitorët kryesorë në rajonin e Ballkanit. Vetëm vitin e kaluar Banka ka investor afër 1 miliard euro në projekte të ndryshme në sektorin e energjisë, infrastrukturës apo edhe atë finanziar në mbështetje të bujqësisë në vendet ballkanike.

Turqia njeh integritetin terrritorial të Ukrainës: Periudha e Bashkimit Sovjetik ka përfunduar

Në fjalimin e tij Davutoglu, deklaroi se sot me Ukrainën kanë një qëndrim të përbashkët kundër qëndrimit agresiv të cilën Rusia ka treguar si në Krime ashtu edhe në ditët e sotme në Siri

KIEV – Kryeministri turk, Ahmet Davutoğlu, pas takimit kokë më kokë me Kryeministrin e Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në fjalimin e tij Davutoğlu, deklaroi se sot me Ukrainën kanë një qëndrim të përbashkët kundër qëndrimit agresiv të cilën Rusia ka treguar si në Krime ashtu edhe në ditët e sotme në Siri.

Davutoğlu u shpreh më tej se: “Turqia njeh integritetin territorial të Ukrainës dhe kundërshton kategorikisht aneksimin e Krimesë. Krimeja është pjesë e territorit të Ukrainës dhe vendi i vërtetë i tartarëve të Krimesë”.

– “Periudha e Bashkimit Sovjetik ka përfunduar 25 vite më parë”-

“Faktikisht sot në lidhje me integritetin territorial të vendit tre vende ndodhen nën kërcënimin e Rusisë, këto janë Gjeorgjia, Ukraina dhe Siria. Edhe integriteti territorial i Azerbajxhanit ndodhet praktikisht nën kërcënimin e Rusisë për shkak të mbështetjes që ajo i jep Armenisë”, ka pohuar Davutoğlu.

Kryeministri turk ka shtuar më tej se: “Nga këtu dua t’iu them edhe njëherë autoriteteve ruse se periudha e Bashkimit Sovjetik ka përfunduar 25 vite më parë. Përpjekjet për të ringjallur këtë periudhë nuk sjellin rezultate të mira dhe pozitive për Rusinë. Duke i besuar kartës së vetos në OKB, të drejtohesh drejt këtyre aventurave është çështje që duhet të miratohet edhe nga populli rus”.

– “Shkaktojnë shumë krime lufte në Siri”-

Kryeministri Davutoğlu duke vënë në dukje se ka informuar Kryeministrin ukrainas Yatsenyuk rreth zhvillimeve të fundit në Siri ka theksuar se: “Teksa ne zhvillojmë këto bisedime Rusia ka qëlluar me raketë balistike një shkollë dhe një spital në Azez ku kanë humbur jetën fëmijë dhe civilë. Regjimi i Sirisë dhe mbështetësit e saj Rusia dhe vendet e tjera si dhe organizatat terroriste kryesisht YPG janë shkaktarë të shumë krimeve njerëzore në Siri. Para zgjidhjes, para një takimi për të arritur fitore në terren shkelin haptazi të drejtën ndërkombëtare”.

Ndër të tjera Davutoğlu ka shtuar se në këtë momente asnjë element i forcave të Turqisë nuk ndodhet brenda Sirisë dhe se Turqia është në anën e popullit të Sirisë dhe kurrë nuk ka qenë pushtuese në Siri. aa

Nikoliçi: Nuk e njohim Kosovën, mos na pranoni në BE

Presidenti serb, Tomislav Nikoliçi, ka përsëritur se Kosova nuk duhet të jetë kusht për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Ai ka thënë se shpreson që njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe demokratik nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në BE, e nëse po, atëherë ai thotë se mos ta pranojnë as Serbinë.

“Shpresoj që njohja e Kosovës nuk do të jetë kurrë kusht për pranimin e Serbisë në BE, dhe nëse kjo është kusht për anëtarësimin tonë në union, mos të na pranojnë”, ka thënë Nikoliç për mediat serbe.

Megjithatë, ai thotë se kapitulli 35, që i kërkon Serbisë të heq dorë nga Kosova nuk e shohin si detyrim të mbyllur.

Më pas Nikoliç flet edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilin tha që duhet të formohet, ashtu siç është nënshkruar, por ai përmend edhe zhvillimet në Kosovë në lidhje me AKS-në.

Ambasadori serb në Moskë: Serbia nuk do t’i bashkohet NATO-s

Terziç ka konfirmuar se presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, do të vizitojë Moskën më 9 mars

Serbia nuk është e interesuar për t’iu bashkuar NATO-s apo për të mbështetur sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë, me gjithë ambiciet e Qeverisë serbe për t’u anëtarësuar në BE, ka thënë ambasadori i Serbisë në Moskë, Sllavenko Terziç.

“Sa i përket çështjes së anëtarësimit në NATO, Serbia ka proklamuar neutralitetin ushtarak dhe politik dhe, deri më tash, askush nuk e ka ndryshuar këtë qasje. Serbia nuk është duke u përgatitur për t’iu bashkuar NATO-s. Po ashtu, nuk do t’iu bashkohemi kurrë sanksioneve kundër Federatës Ruse”, ka thënë Terziç për gazetarët në Moskë.

Ai ka shtuar se Serbia do t’i ruajë lidhjet e saj me Moskën dhe se synon t’i bashkohet Unionit Ekonomik Euroaziatik, të udhëhequr nga Rusia.

Terziç ka konfirmuar se presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, do të vizitojë Moskën më 9 mars.

Nderojnë myslimanët e vrarë në Bosnjë – Beogradi ndalon manifestimin

Aktivistja e të drejtave të njeriut, Anita Mitiç, është paditur nga autoritetet serbe nën akuzën e kundravajtjes në lidhje me një protestë që do të mbahej para parlamentit serb.

Një vit më parë, në një nga sheshet e Beogradit bëhej homazh për mbi 8 mijë myslimanë të vrarë në Srebrenicë. Aktivistët e rinj për të drejtat e njeriut dhe qytetarët e thjeshtë donin të grumbullonin 7 mijë vetë, të cilët të shtriheshin përpara Kuvendit të Serbisë, në mënyrë që të kujtonin viktimat.

Por ky tubim u ndalua nga autoritetet. Aty nuk mungonin radikalët, si Vojisllav Sheshel.

Anita Mitiç, një nga organizatoret e këtij tubimi, ka marrë një padi për kundërvajtje, për shkak të së cilës mund të paguajë nga 100 deri në 1.000 euro gjobë. Ajo thotë se, vet ndalimi i tubimit ka qenë skandaloz, ndërkohë që thotë se debat për krimet ende nuk ka.

Erdogan kërcënon për dëbimin e 2 milionë e gjysmë emigrantëve sirianë

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan përsëriti kërcënimin se do të dëbojë të 2.5 milion emigrantët sirianë që ndodhen brenda kufijve të vendit, duke thënë se ai mund t’i dërgojë ata me autobusë në kufijtë e  Bashkimit Evropian.

Në një fjalim të mbajtur sot në një forum biznesi në Ankara, zoti Erdogan konfirmoi komentet e nxjerra nga media në fillim të javës, sipas të cilave ai i ka thënë presidentit të Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker se do t’i dëbojë refugjatët në qoftë se Turqisë nuk i jepet mbështetje për përpjekjet e saj.

Komentet e bëra nëntorin e kaluar, u zbuluan nga një portal grek dhe u botuan nga disa gazeta të opozitës.

Bosnjë: Aurtoriteti juridik mbikëqyrës e konfirmoi ndalesën e shamisë

Pamje e femrave myslimane me shami në kokë

Autoriteti juridik mbikëqyrës i Bosnjës e ka konfirmuar ndalesën e bartjes së shamisë dhe të simboleve të tjera fetare në gjykata dhe institucionet e tjera juridike.

Ky vendim për ta vërtetuar ndalesën është shpallur sot nga Këshilli i Lartë Prokurorial i Drejtësisë dhe u bë në periudhën kur janë mbajtur protesta në kryeqytetin Sarajevë dhe në disa qytete të tjera të Bosnjës.

Ky vendim ka të bëjë me gjyqtarët dhe punonjësit e tjerë të sistemit të drejtësisë në Bosnjë dhe u përketë të gjitha simboleve fetare dhe veshjeve.

Por në mënyrë të qartë është përmendur shamia islamike me të cilën gratë myslimane i mbulojnë flokët, veshët, dhe qafën, ndërsa vetëm fytyra mbetet e zbuluar.

Protesta më e madhe kundër kësaj mase është organizuar në Sarajevë më 7 shkurt, ku afro 2 mijë pjesëmarrës, shumica prej tyre femra, e mbajtën një demonstratë njëorëshe në mbështetje të së drejtës së tyre për të bartur shami në kokë.

 

Bosnja arreston pronarin e një banke dhe dy ndihmësit e tij

Autoritetet në Bosnjë e kanë arrestuar pronarin e një banke private dhe dy ndihmësit e tij, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të pastrimit të parave.

Prokuroria, përmes një deklarate të lëshuar sot, pavarësisht arrestimit të pronarit të Bankës Ndërkombëtare Pavloviq, Slobodan Pavlovic, dhe dy ndihmësve të tij, ka thënë se autoritetet janë duke i vazhduar kërkimet për kapjen e të dyshuarve të tjerë.

Vitin e kaluar, një parti opozitare ka parashtruar padi penale kundër presidentit serb të Bosnjës, Milorad Dodik, me pretendimin se ai e ka blerë një vilë në Beograd të Serbisë, me çmim prej 750 mijë eurosh dhe se e ka marrë një kredi me të njëjtën shumë një vit më vonë në bankën Pavloviq.

Sipas një deklarate të mëhershme nga Partia Demokratike Serbe, Pavloviq asokohe ia ka paguar kredinë Dodikut, në këmbim të favoreve që nuk janë specifikuar.

Dodik në vazhdimësi i ka mohuar akuzat.

Zëvendëskryeministrit rus i ndalohet hyrja në Mal të Zi

Zëvendëskryeministri i Rusisë, Dmitry Rogozin

Autoritetet në Mal të Zi kanë njoftuar sot se zëvendëskryeministrit rus, Dmitry Rogozin, ia kanë ndaluar hyrjen në vendin e vogël të Ballkanit.

Ministria e Jashtme malazeze ka njoftuar sot se Rogozin është në mesin e 50 politikanëve dhe biznesmenëve rusë, të cilët e kanë të ndaluar që të hyjnë në Malin e Zi.

Kombi i cili i ka rreth 600 mijë banorë, i cili është duke kërkuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO, ka miratuar sanksione perëndimore kundër Rusisë për shkak të rolit të saj në krizën në Ukrainë.

Ministria e Jashtme tha se Milani Knezeviq, udhëheqës i partisë pro-ruse, Partia Demokratike Popullore, e kishte ftuar zëvendëskryeministrin rus, Dmitry Rogozin, pa u konsultuar me autoritetet e Malit të Zi.

Gjenerali serb i Bosnjës vdes në burgun e Hagës

Gjenerali serb i Bosnjës Zdravko Tolimir

Gjenerali serb i Bosnjës, Zdravko Tolimir, ka vdekur mbrëmë në burgun e Hagës, ku ai po e vuante dënimin e përjetshëm për gjenocid.

Udhëheqësi serb i angazhuar për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës për krimet në ish-Jugosllavi, Rasim Ljajiq, i ka thënë televizionit serb RTS se Tolimir ka vdekur mbrëmjen e së hënës, në qendrën e paraburgimit të gjykatës së OKB-së.

Vdekja e tij është konfirmuar sot edhe nga Tribunali i Hagës.

“Ai është marrë i sëmurë nga qendra e paraburgimit të gjykatës mbrëmë rreth orës 09.00. Ai ka marrë përkujdesje mjekësore, por ai vdiq”, ka thënë sot zëdhënësi i Tribunalit të Hagës, Nenad Golqevski.

Tolimir, 67 vjeçar, konsiderohet të ketë qenë krahu i djathtë i shefit të ushtrisë serbe në Bosnjë, Ratko Mladiq, i cili aktualisht është duke u gjykuar në Hagë.

Zdravko Tolimir është dënuar në vitin 2012 me burg të përjetshëm për rolin e tij në gjenocid, për krime kundër njerëzimit dhe për krimet e luftës të kryera gjatë viteve 1992-1995 në Bosnjë.

Gjatë luftës në Bosnjë kanë vdekur rreth 100 mijë persona.

Dënimi ndaj Zdravko Tolimir e ka marrë mbështetjen e dhomës së apelit në vitin 2015.


Send this to a friend