VOAL

VOAL

CHP-ja opozitare turke zgjedh liderin e ri pas humbjeve në zgjedhjet e majit

Ozgur Ozel.

Lideri opozitar turk Kemal Kılıçdaroglu është detyruar të japë dorëheqje të dielën, pasi Partia Popullore Republikane (CHP) e ka zgjedhur Ozgur Ozelin si kryetar të ri, pas humbjes në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të majit.

Delegatët e kanë përkrahur 49-vjeçarin Ozel, në garë me Kılıçdaroglun, 74-vjeçarin, i cili e ka udhëhequr partinë në 13 vjetët e fundit.

Pavarësisht se e pati mbledhur një aleancë të madhe për zgjedhjet e 14 majit, Kılıçdaroglu ka dështuar që triumfojë.

Ozel, aleat politik i kryetarit të Stambollit, Ekrem İmamoglu, ka bërë thirrje për reforma në parti, më të vjetrën në Turqi.

CHP synon t’i ruajë pozitat e rëndësishme komunale që ka në Stamboll dhe Ankara, në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për komuna.

Ozel, me profesion farmacist, ka shërbyer paraprakisht si udhëheqës parlamentar i CHP-së.

Gazetari shqiptar trazon politikën serbe, mediat ‘Musliu, babai i Vuçiçit’ – Presidenti serb detyrohet të reagojë

Emri i gazetarit shqiptar nga Kosova Fahri Musliu ka trazuar jetën politike në Serbi, pas aludimeve në mediat serbe se ai është babai biologjik i Aleksandër Vuçiçit. Kjo situatë ka detyruar kreun e shtetit serb të shfaqet publikisht në krah të babait të tij. Vuçiç mohoi që Fahri Musliu të jetë babai i tij dhe në stilin e tij dramatik dhe viktimizues tha se këto janë  sulme që duan të shkatërrojnë çdo familje në Serbi.

Nga SYRI TV

Emri i gazetarit shqiptar nga Kosova Fahri Musliu ka trazuar jetën politike në Serbi. Teksa vendi po përgatitet të hyjë në zgjedhjet e parakohshme të 17 dhjetorit, mediat serbe kanë botuar një seri artikujsh përmes të cilave aludojnë se babai biologjik i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiçit, është gazetari i njohur nga Kosova, Fahri Musliu.

Image

Majtas gazetari shqiptar i përfolur, Fahri Mysliu.

Faktikisht rikthimi i këtyre thashethemeve u bë nga vetë Vuçiç në njërën prej daljeve të fundit televizive, ku tha se “Fahri Musliu nuk është babai im, babai im është Anxhelko”. Pas kësaj dalje të Presidentit serb, gazeta “Danas” botoi shkrimin “Një shqiptar në Beograd”: Kush është Fahri Musliu, për të cilin Vuçiç thotë se nuk është babai i tij?”

Kjo situatë ka detyruar Presidentin Vuçiç të bëjë një dalje tjetër publike, kësaj radhe në rrjetet sociale, ku ka prezantuar babanë e tij.

Image

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç me babanë e tij.

Në stilin e tij të njohur dramatik dhe viktimizues, Vuçiç i konsideroi sulmet ndaj tij si sulme ndaj çdo familjeje serbe dhe akuzoi opozitën serbe se qëndron pas këtyre goditjeve. Vuçiç mohoi që Fahri Musliu të jetë babai i tij.

“Ata politikanë që u përpoqën të sulmojnë familjen Vuçiç përmes mediave të tyre nuk sulmuan vetëm nënën time, babanë tim, mua…

Ata sulmuan çdo familje në Serbi, ata duan shkatërrimin e familjeve tona, duan shkatërrimin e vendit tonë. Kanë shkruar se unë kam mohuar që njëfarë Fahri Musliu të jetë babai im, duke dashur të thotë se ai në të vërtetë është. Ju them edhe njëhere, babai im është Anxhelko, e dua pafundësisht.

Do ta shpëtojmë vendin nga ju,  do të shpëtojmë të gjitha familjet në Serbi, do ta shpëtojmë Serbinë nga ju të papërgjegjshmit, nga ju përndjekës, nga ju që do të shkatërroni gjithçka që ka bërë ky vend”.

Gazetarët e “Danas” kanë kontaktuar edhe me gazetarin shqiptar Fahri Musliu i cili tha se nuk dëshiron të komentojë deklaratat e Vuçiç, por nga ana tjetër shtoi se “serbët dhe shqiptarët le të argëtohen me budallallëqe, pasi e kanë në gjak të merren me shpifje dhe jetët të tjerëve”.

Pak vite më parë, Fahri Musliu mohoi lajmin e dhënë nga një portal kroat se ai është babai i kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç. Musliu theksoi se e njihte nënën e Vuçiç, pasi kanë qenë kolegë gazetarë, por mohoi të ketë pasur lidhje me të.

Ndërkohë, pjesë e këtij debati janë bërë edhe institucionet shtetërore në Serbi.

Ministria serbe e Informacionit tha të premten se e përditshmja “Danas” ka hedhur dyshime mbi besueshmërinë e Presidentit dhe familjes së tij me historinë e saj për gazetarin shqiptar të Kosovës Fahri Musliu dhe pretendimet, sipas saj, të rreme se ai ishte babai i Aleksandër Vuçiçit.

Vulini jep dorëheqje nga posti i drejtorit të inteligjencës së Serbisë

Shefi i Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Alleksandar Vulin, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Këtë e ka konfirmuar vetë Vullini nëpërmjet një komunikate.

“SHBA-ja dhe BE-ja po kërkojnë kokën time si parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë, unë nuk jam shkaktar i shantazheve dhe presioneve ndaj Serbisë dhe botës serbe, por nuk do ta lejoj veten të jem shkaktar i shantazheve dhe presionit ndaj Serbisë dhe botës serbe. Prandaj, parashtroj dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i drejtorit të BIA-s”, thuhet në njoftim.

Mali i Zi liron dy të dyshuar për krime lufte, që kërkoheshin nga Kosova

Gjykata e Lartë në Bjello Pole ka liruar nga paraburgimi shtetasin serb, Zhivko Vuksanoviq, 62 vjeç, ekstradimin e të cilit e ka kërkuar Kosova, pasi dyshohet për krime lufte. Po ashtu, edhe një tjetër i dyshuar, që po kërkohet nga Kosova, është liruar nga autoritetet në Mal të Zi.

Lirimi i Vuksanoviqit nga paraburgimi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga kjo gjykatë.

Vuksanoviq gjendej në paraburgim prej 1 tetorit, në pritje të vendimit për ekstradimin ose jo të tij në Kosovë.

Edhe pse Gjykata e Lartë më 27 tetor vendosi për ekstradimin e Vuksanoviqit në Kosovë, po atë ditë, ish-ministri i Drejtësisë, Marko Kovaç, refuzoi kërkesën për ekstradim.

Gazeta në Podgoricë, Pobjeda, tha se Kovaç e arsyetoi vendimin e tij me vlerësimin se “ka dyshime për përndjekje politike”, duke argumentuar se ishte shkelur neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut.

Pas marrjes së vendimit më 31 tetor, Gjykata e Lartë e liroi Vuksanoviqin, i cili qëndroi në paraburgim ekstradues për një muaj.

Ky ishte vendimi i dytë i tillë i ish-ministrit Kovaç në një periudhë shtatëditore, pasi më 26 tetor ai refuzoi edhe ekstradimin e Momçilo Vukotiqit, 61 vjeç, në Kosovë. Ekstradimi i tij ishte kërkuar për shkak se ai dyshohet për krime lufte në territorin e Pejës më 1999, konfirmuan për REL-in nga Ministria e Drejtësisë.

Dhe më pas, Kovaç iu referua Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kovaç i mori këto vendime në javën e fundit të mandatit të tij në Qeverinë e kryeministrit Dritan Abazoviq, mandat që përfundoi me zgjedhjen e Qeverisë së Millojko Spajiqit më 31 tetor 2023.

Vukotiq u arrestua në Mal të Zi më 25 shtator me urdhër të INTERPOL-it të lëshuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), bazuar në memorandumin e mirëkuptimit midis INTERPOL-it dhe UNMIK-ut më 2002, që synon shkëmbimin e informacioneve, urdhërarrestimeve, hetimeve ndërkombëtare dhe çështjeve penale.

Para arrestimit të tij, një nga liderët e Frontit Demokratik pro-serb të përbërë së fundi, Millan Knetheviq, i bëri thirrje Qeverisë së atëhershme teknike të Abazoviqit që të mos përfshihet në arrestimin e serbëve dhe malazezëve të zhvendosur nga Kosova.

Vukotiq po ashtu është liruar nga paraburgimi, konfirmoi Gjykata e Lartë për REL-in.

Shtetasi i Kosovës, Ilir Bershia, 48 vjeç, i cili u arrestua në Mal të Zi në fillim të tetorit, është në pritje për vendimin për ekstradim në Kosovë dhe gjendet në paraburgim.

Ai u arrestua me urdhër të UNMIK-ut dhe INTERPOL-it nën dyshime për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë në vitin 1999. Gjykata e Lartë në Podgoricë ka caktuar ndaj tij derisa të merret vendimin lidhur me çështjen e ekstradimit.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, ndërsa nga viti 2008, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit ishte përgjegjës për hetimet e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision ka dorëzuar dokumente në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Ursula von der Leyen ia thotë në sy Vuçiçit: Njohja de facto e pavarësisë së Kosovës nënkupton zbatimin e marrëveshjes së rënë dakord në Ohër

“Për çfarë bëhet fjalë, për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që parasheh hapa të ndryshëm, përfshirë pranimin e dokumentave dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia, dhe shkon krahas themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin duhet ta zbatojë Kosova”, tha Von der Leyen në një konferencë për media të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke iu përgjigjur një pyetjeje që nënkupton njohjen de-facto të Kosovës, që e ka përmendur në Prishtinë një ditë më parë.

Von der Leyen theksoi se kjo do t’i hapte rrugën normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që, siç theksoi ajo, është parakusht i domosdoshëm për rrugën evropiane. Zyrtarja evropiane shtoi se sulmi në Banjskë është krejtësisht i papranueshëm dhe se autorët duhet të dalin para drejtësisë.

Ajo i bëri thirrje Serbisë që të mbështesë propozimin evropian për draftin e asociacionit dhe Kosovës ta zbatojë atë. Në anën tjetër, Vuçiç ka thënë se “njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje për Serbinë” dhe se nuk i vjen turp ta përsërisë edhe para presidentes së Komisionit Evropian.

“E dimë cilat janë obligimet tona nga dialogu dhe jemi të gatshëm t’i përmbushim”, ka thënë Vuçiç. syri.net

Votohet qeveria e re në Mal të Zi, shqiptarët marrin tri ministri

Në parlamentin e Malit të Zi në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është votuar me 46 vota pro qeveria e re, me kryeministër liderin e Lëvizjes Evropa Tani (PES) Milojko Spajiç.

Për qeverinë e 44-të të Malit të Zi votuan kundër 19 deputeë, ndërsa vetëm një nga ligjvënësit e pranishëm në sallë abstenoi.

Gjatë votimit për qeverinë e re, në sallë nuk ishin të pranishëm deputetët e partisë GP të URA-s, që drejtoi vendin me kreun e saj Dritan Abazoviç në mandatin e kaluar.

Para votimit të qeverisë së re pati debate të ashpra mes ish-kryeministrit Abazoviç dhe pasardhësit të tij, Spajiç.

Sakaq, edhe DPS dhe SD kundërshtuan votimin e qeverisë së re duke argumentuar se ky kabinet është kundër Malit të Zi, është anti-evropian dhe pro-rus.

Sa i përket partive shqiptare, postin e zëvendëskryeministrit për Politikat Ekonomike dhe Ministrit për Zhvillimin Ekonomik e ka marrë kryetari i Bashkisë së Tuzit, Nik Gjeloshaj, i cili pritet të heqë dorë nga mandati si udhëheqës lokal.

Fatmir Deka do të jetë ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoritetet, ndërsa Marash Dukaj është emëruar Ministër i Administratës Publike.syri.net

Mijëra njerëz protestojnë në Podgoricë kundër kryetarit të ri të Kuvendit të Malit të Zi

Protestuesit në Podgoricë duke kërkuar të Andrija Mandiqi të mos pranohet si kryetar i Kuvendit të Malit të Zi, 30 tetor 2023.

Disa mijëra qytetarë të veshur me simbole kombëtare dhe shtetërore malazeze kanë protestuar të hënën vonë kundër kryetarit të ri të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiqin.

Mandiqi u zgjodh kryetar i Kuvendit të Malit të Zi të hënën gjatë ditës duke marrë mbështetjen e 49 prej 81 deputetëve.

Në protestën e mbajtur para ndërtesës së Kuvendit në Podgoricë, morën pjesë edhe një pjesë e partive opozitare dhe Forumit të Qytetarëve të Lirë “Luça”, duke kërkuar të Mandiqi të mos pranohet si kryetar i Kuvendit malazez.

Për më tepër, ata i kërkuan kryeministrit të ardhshëm të Malit të Zi, Milojko Spajiq, që ta shtyjë regjistrimin e popullsisë të planifikuar për 1 nëntor.

Protestuesit brohoritën “Jo Qeverisë së çetnikëve”, “Vdekje fashizmit” si dhe “Mandiq, largohu”.

“Ne jemi para shtëpisë, e cila simbolikisht, moralisht dhe politikisht bëhet gërmadhë me zgjedhjet e sotme”, tha Pegja Vushuroviq nga Organizata “Luça”.

Me zgjedhjen në krye të Kuvendit, Mandiqi u bë edhe anëtar i organit më të lartë shtetëror për siguri dhe mbrojtje.

Mandiqi është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe – anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus (DF) – i cili së voni është riemëruar si koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi.

Prioritete të politikës së jashtme të partisë së Mandiqit janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Ajo është, po ashtu, kundërshtare e anëtarësisë së Malit të Zi në NATO.

Në politikën rajonale, Mandiq ka marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me presidentin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik.

Ai e mohon edhe gjenocidin në Srebrenicë, ku forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë gjatë luftës së viteve ’90.

Është, gjithashtu, i afërt me ideologjinë e lëvizjes çetnike, e cila ka bashkëpunuar me Gjermaninë hitleriane në Luftën e Dytë Botërore.

Titullin simbolik të dukës çetnik e ka që nga viti 2007.rel

Kryeministri bullgar: Hungaria e Serbia po ndihmojnë financimin e ushtrisë së Putinit

Hungaria dhe Serbia po mbështesin makinerinë ushtarake të Kremlinit dhe nuk po kërkojnë burime alternative të energjisë në mes të mosmarrëveshjeve të intensifikuara mbi një taksë mbi importet e gazit rus. Kështu ka deklaruar kryeministri bullgar Nikolay Denkov, raportuar nga ‘Bloomberg’ dy ditë më parë.

Denkov dekaroi se qeveria e tij synon të vendosë një taksë për gazin natyror rus që kalon transit përmes Bullgarisë. Qëllimi i kryeministrit është të ndërpresë fitimet për Gazprom të Rusisë, të cilat përdoren për të financuar luftën kundër Ukrainës.

Hungaria e ka quajtur këtë masë një ‘akt armiqësie’, ndërsa Serbia pretendoi se taksa kërcënon të ndalojë furnizimet thelbësore të karburantit në rajon.

‘Kishte kohë të mjaftueshme për të kërkuar alternativa, për të parë se këto fitime po ushqejnë makinën e luftës së Putinit,’ tha Denkov në përgjigje.

Më 17 tetor, kryeministri hungarez Viktor Orban u takua me presidentin Vladimir Putin në Kinë, takimi i tyre i parë që nga pushtimi rus i Ukrainës. syri.net

Jasmin Mujanović: Deshtim i BE në joshjen e Serbisë – Në krye të Brukselit njerëz thellësisht, thellësisht joseriozë

Politologu i njohur Jasmin Mujanović në Twitter:
“Unë kurrë nuk kam takuar dikë që ka dështuar aq shpesh në ndonjë gjë sa BE-ja në joshjen e Serbisë për të negociuar në mirëbesim me Kosovën.
Nëse përsëritja e një gabimi është çmenduri, kjo është kalbje e trurit.
Njerëz thellësisht, thellësisht joseriozë në krye të Brukselit.”

“Do të ishin të lumtur nëse ushtria jonë do të hynte në Kosovë”, deklarata provokuese e ministrit serb pas takimeve në Bruksel: 90% e popullit s’e do dialogun!

Ministri serb i Mbrojtjes, Milos Vuçeviç ka deklaruar pas takimeve të djeshme mes Kurtit dhe Vuçiç me liderët evropianë, se bisedimet ishin të vështira për palën serbe.

“Nuk kishte asgjë të lehtë për ne, as nuk do të dëgjojmë ndonjë gjë tepër të bukur nga ato bisedime”, tha Vuçeviç.

Sipas tij, Serbia është e gatshme të negociojë për të gjitha propozimet që përjashtojnë pavarësinë e Kosovës dhe uljen e saj në tryezën e Kombeve të Bashkuara.

“Ne nuk pranojmë asnjë lloj njohje de jure apo de facto të Kosovës si shtet i pavarur”, nënvizoi ai.

Ministri serb vlerësoi se 90% e qytetarëve do të donin të dëgjonin se Serbia refuzon gjithçka nga dialogu dhe të largohet prej tij përfundimisht.

“Të gjithë do të ishin të lumtur ta shihnin ushtrinë tonë në Kosovë, por ne duhet të dimë, duhet të kujtojmë, se jemi tërhequr nga Kosova në vitin 1999 në përputhje me Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244”, tha ai.bw

Vuçiçi pas takimeve në Bruksel: Serbia s’mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka folur pas takimeve që ka pasur në Bruksel me funksionarë të lartë evropianë ku është folur për marrëveshjen bazike në mes Kosovës dhe Serbisë. Vuçiç ka thënë se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Gjatë bisedimeve në Bruksel kemi biseduar për të gjitha temat dhe marrëveshjet, kam thënë qartë se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB apo pavarësinë e Kosovës, por se jemi të gatshëm të përmbushim atë që është marrë vesh, letra e 21 tetorit është një bazë e mirë për vazhdimin e diskutimeve në të ardhmen”, tha Vuçiç në Bruksel.

Ai ka thënë se është gati që të formohet Asociaconit i komunave me shumicë serbe.

“Ne jemi plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit në përputhje me propozimet që kemi marrë, për letrën e 21 tetorit kemi thënë se jemi të gatshëm të pranojmë dhe të shkojmë në zbatim”, ka deklaruar Vuçiç.

 

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka pasur kërkesa që e zhbëjnë marrëveshjen bazike.

 

’Presidenti i Serbisë, Vuçiç, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Plenkoviq: Konkluzionet e BE-së janë të forta – sulmi terrorist s’ka ardhur nga Marsi, por nga Serbia

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq para takimit të liderëve të BE’së ka komentuar rreth takimeve të liderëve të Kosovës dhe Serbisë me ata europianë.

Ai ka thënë se nuk mund të komentojë shumë për to.

“Këto bisedime ende po vazhdojnë nuk mund t’i komentoj, nuk e di për çka janë marrë vesh. Pra, biseda, jo të gjithë së bashku, por së pari me liderët europianë, njëherë Kryeministri i Kosovës më duket e më pas presidenti i Serbisë. S’kemi ndonjë njoftim, kur të vijnë ata (liderët e BE’së) do të shohim çfarë ka” ka theksuar Plenkoviq.

I pyetur nëse Kroacia angazhohet për të sanksionuar Serbinë për shkak të sulmit të 24 shtatorit, Plenkoviq ka thënë se konkluzionet e BE’së në masë të madhe janë dakorduar dhe se ato janë të forta dhe serioze sa i përket këtij rasi.

Modeli modern për Asociacionin, Stano: Sot nuk pritet ndonjë rezultat përfundimtar – përmbushja e detyrimeve vlen për të dyja palët

“Konkluzionet pak a shumë janë dakorduar, janë te forta, serioze. Ne konsiderojmë se ai akt, de facto, i një grupi terrorist paramilitar i cili ka ardhur i pajisur e i trajnuar që nuk ka ardhur nga Marsi, por nga Serbia sepse janë përgatitur për atë aksion, ka qenë goditje serioze për destabilizimin e Kosovës dhe Veriut të Kosovës. Kjo është skajshmërisht e papranueshme dhe këtë e kemi thënë në të gjitha rastet e mundshme siç ishte rasti në Granadë. Se çfarë do të ndërmerret tash do të shohim pas këtyre bisedave. Me sa kuptoj unë ekziston vullneti dhe dëshira e të dyja palëve që kjo situatë të qetësohet dhe të vazhdohen bisedimet për normalizim”.

Serbët në Kosovë së shpejti do të kenë një parti të re politike

Serbët në Kosovë së shpejti do të kenë një parti të re politike, e cila do të veprojë në të gjitha zonat e banuara me shumicë serbe në veri dhe jug të lumit Ibër, me qëllim të “mbrojtjes së interesave të tyre”.

Bëhet fjalë për partinë Lëvizja Popullore Serbe, e cila është themeluar si alternativë ndaj Listës Serbe, nga Branimir Stojanoviq, aktivist politik nga jugu, dhe Millia Bishevac nga veriu i Kosovës.

Lista Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit, ishte deri tani opsioni i vetëm politik që funksiononte në të gjitha mjediset e banuara me serbë në Kosovë.

“Ne duam të ndërtojmë një organizim të ri politik që do të përfaqësojë interesat e njerëzve nga të gjitha komunitetet serbe në mënyrë të arsyeshme dhe racionale”, thotë Branimir Stojanoviq në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë (REL).

Megjithatë, ai nuk deshi t’i zbulojë emrat e personave që, përveç tij dhe Bishevacit, do të kenë rol në këtë lëvizje.

“Për pak kohë do t’i mësoni emrat e disa njerëzve të rinj dhe të mjediseve të tjera [të banuara me shumicë serbe]. Do të shihni që është një nismë më serioze dhe më e gjerë, e cila nuk kufizohet vetëm te ne të dy. Larg kësaj, do të ketë shumë njerëz të rinj”, shprehet Stojanoviq.

Ai shton se disa prej atyre që do të jenë anëtarë të Lëvizjes Popullore Serbe, kanë marrë pjesë në politikë, e disa të tjerë, do të jenë të rinj.

Një nga themeluesit e Listës Serbe ishte edhe Branimir Stojanoviq, i cili pas largimit nga kjo parti, u bë “kundërshtar dhe kritik” i saj. Siç deklaroi vetë Stojanoviq, ai u largua nga Lista Serbe, sepse më nuk pajtohej me politikën e tyre.

Në zgjedhjet lokale të Kosovës në vitin 2021, ai ishte kandidat i pavarur për kryetar të Graçanicës, një komunë e banuar me shumicë serbe afër Prishtinës.

Po atë vit, Millia Bishevac mori pjesë në zgjedhjet në Zubin Potok në veri të Kosovës me Iniciativën e tij Qytetare, Për Zubin Potokun, kur hyri në Kuvendin Komunal si këshilltar.

“Ne duam të ofrojmë një alternativë, të tregojmë se si duhet të jetë, jo vetëm të jemi kundër diçkaje, por të jemi në interes të njeriut të thjeshtë”, tha Stojanoviq.

Fytyra të reja edhe te Lista Serbe?

Derisa alternativat e reja politike serbe po afrohen, Lista Serbe, siç ka njoftuar, të martën do të mbajë Kuvendin e partisë. Nga kjo parti nuk është saktësuar se cili do të jetë rendi i ditës, por mediat lokale në gjuhën shqipe në Kosovë raportuan më herët se Lista Serbe do të zgjedhë kryetarin dhe kryesinë e re.

Deri më 29 shtator, nënkryetar i Listës Serbe ishte Millan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë afër Zveçanit nga një grup i armatosur serbësh, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Lista Serbe deri më tani nuk është distancuar publikisht nga Radoiçiqi dhe as nuk ka reaguar pas dorëheqjes së tij.

Branimir Stojanoviq, nga ana tjetër, beson se çdo ndryshim brenda Listës Serbe do të jetë formal, gjegjësisht nuk do të sjellë “ndryshime thelbësore”.

“Prandaj është e rëndësishme që populli ynë të kuptojë se mjaft është me këtë formalitet… besoj se njerëzit tanë do ta vlerësojnë shumë mirë se të gjitha ndryshimet që do të ndodhin, janë thjesht ‘larje’ e një mekanizmi korruptiv, që është vështirë të ndryshohet”, tha Stojanoviq në një deklaratë për REL-in.

Lista Serbe Kuvendin e fundit të rregullt zgjedhor e mbajti në vitin 2021, kur Goran Rakiqi u zgjodh kryetar i partisë për një mandat katërvjeçar.

Ndërsa nënkryetarë u zgjodhën Millan Radoiçiq, Igor Simiq dhe Dalibor Jevtiq.

Edhe Miodrag Marinkoviq nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Afirmative Sociale, beson se personat e rinj në listën Serbe nuk do të thonë “praktikisht asgjë” dhe beson se kjo parti me siguri do të mbetet me ndikim për shkak të mbështetjes së Beogradit.

“Këtë mund ta shohim nga qeverisja e Partisë Progresive Serbe në Serbi, në të cilën njerëzit drejtues në parti zëvendësohen sepse janë diskredituar nga një sërë aferash. Mendoj se po kjo po i ndodhë Listës Serbe. Është vetëm një tentativë ‘ribrendimi’ por jo një ndryshim thelbësor”, shprehet ai.

A do ta ketë ndonjë parti tjetër mbështetjen e Beogradit?

Marinkoviq nga Qendra për Çështje Sociale Afirmative konsideron se është mirë që do të ketë “pluralizëm” në mesin e komunitetit serb në Kosovë, pas një dekade të sundimit absolut të Listës Serbe.

Megjithatë, ai thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet opsioneve politike që deklarohen si “alternativë e Listës Serbe” dhe përmend “domosdoshmërinë e bashkëpunimit me Beogradin” dhe “qëndrimin e unifikuar ndaj autoriteteve të Kosovës me qëllim të mbrojtjes së interesave të komuniteti serb” si arsye.

Marinkoviq, gjithashtu, beson se asnjë opsion i ri politik nuk do ta ketë mbështetjen e Beogradit, nëse nuk ka kontroll mbi të.

“Lista serbe është ende në lojë, është e diskredituar, por ajo që e bën atë një faktor të vlefshëm në mesin e komunitetit serb është pikërisht mbështetja nga Beogradi. Ka mekanizma që mund të përdoren për të ndikuar te votuesit”, thotë Marinkoviq dhe në këtë kontekst përmend se një numër i madh i të punësuarve në institucionet serbe janë në Kosovë.

 

Nga ana tjetër, Branimir Stojanoviq thotë se në këtë moment është e rëndësishme që ata të përkrahen nga “njerëz të zakonshëm”.

“Nëse dikush tjetër do të na mbështesë më vonë dhe do ta kuptojë se politika e bërë në këtë mënyrë nuk mund të vazhdojë, ne nuk mund ta dimë këtë. E sigurt është se ne duam të flasim me të gjithë ata që ndikojnë në jetën tonë. Sigurisht që Beogradi është një nga ato adresa dhe se a do të ketë mirëkuptim për argumentin tonë, nuk mund ta dimë tani”, thekson ai.

Parashihet formimi i nismave të tjera

Aktivisti politik nga Mitrovica e Veriut, Dejan Nedelkoviq, më parë i tha REL-it se ai dhe njerëzit e tij, ngjashëm do të formojnë iniciativa qytetare nëse shpallen zgjedhjet lokale në komunat në veri dhe Lista Serbe merr pjesë në to.

“Këtë na e kërkojnë qytetarët, pas 10 vjetësh punë opozitare, sa jemi duke luftuar kundër Listës Serbe, populli vetëm pas dhjetë vjetësh e ka konstatuar se kemi të drejtë”, tha ai.

Gjithashtu, një grup politikanësh nga veriu dhe jugu paralajmëruan riaktivizimin e Këshillit Kombëtar Serb, i cili funksionoi deri në vitin 2013.

Ndryshe, shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës është paraparë me planin për shtensionim të situatës, pasi kryetarët shqiptarë morën pushtetin në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Kryetarët e zgjedhur të këtyre komunave nuk pranohen nga popullata lokale serbe, e cila i bojkotoi zgjedhjet e prillit.

Lista Serbe, e cila fillimisht bëri thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve, më 13 tetor njoftoi se është e gatshme të marrë pjesë në to.

Përgatiti: Syzanë Paçarizi

Opozitarët serbë kërkojnë sqarim për rolin e Serbisë në Banjskë

Ndërtesa e Kuvendit të Serbisë. Fotografi nga arkivi.

 

Gjatë seancës së parë të sesionit vjeshtor, një pjesë e deputetëve opozitarë në Kuvendin e Serbisë më 23 tetor ngritën çështjen e rolit të udhëheqjes serbe në sulmin në Banjskë në veri të Kosovës.

Më 24 shtator, një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por kjo e fundit ka mohuar çdo përfshirje.

Përgjegjësinë për sulmin në Banjska e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

“Prandaj le të pyesim tani [drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion – BIA, Aleksandar] Vulinin, [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiqin, dhe [ministrin serb të Punëve të Brendshme, Bratisllav] Gashiqin, si është e mundur që nuk e dinit se çfarë po bënte Radoiçiqi në Banjskë me persona të armatosur me mitraloz, pushkë që asnjë qyteti të Serbisë nuk i lejohet t’i mbajë privatisht”, tha Nebojsha Zellenoviq, bashkëkryetar i partisë opozitare Së bashku, teksa iu drejtua deputetëve në seancë plenare.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Millenko Jovanov, u kundërpërgjigj duke thënë se Zellenoviq për gjithçka fajëson serbët, pa e shikuar përgjegjësinë e palës tjetër.

“Ai thotë se është e tmerrshme që Aleksandar Vuçiq nuk dinte asgjë, por për të nuk është e tmerrshme që vdiqën tre serbë. Ai këtë nuk e tha kurrë”, tha Jovanov.

Një pjesë e opozitës në Serbi ka kërkuar më 3 tetor një seancë urgjente të Kuvendit, në të cilën, përmes formimit të Komisionit Hetimor, do të përcaktohej përgjegjësia e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe roli i Millan Radoiçiq, për ngjarjet në Banjksë. Por, një propozim i tillë nuk është pranuar.

Ky zhvillim vjen në ditën kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sulmi në Banjskë u krye nga “Klani i Novi Sadit, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq”.

“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”, shkroi Kurti në Facebook të hënën.

Vuçeviq i ka hedhur poshtë si “gënjeshtra plotësisht të neveritshme dhe flagrante” deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kosova ka kërkuar që të kryhet një hetim ndërkombëtar për Serbinë, në mënyrë që të përcaktohet roli i Beogradit në sulmin që Prishtina e cilëson si terrorist.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

Serbia thekson rëndësinë e pajisjeve ushtarake kineze

VOA/Marrë nga Reuters

Zëvendëskryeministri i Serbisë tha se pajisjet ushtarake kineze kanë forcuar ndjeshëm forcat e armatosura serbe, posaçërisht në sistemin e mbrojtjes ajrore dhe me dronë.

“Për sa u përket marrëdhënieve dypalëshe Serbi-Kinë, do të veçoja bashkëpunimin ushtarak si dhe bashkëpunimin ekonomik dhe investimet e shumta, të cilat janë shumë të rëndësishme për vendin tonë”, tha Milosh Vuçeviç, i cili është edhe ministër i Mbrojtjes i Serbisë në një intervistë për mediumin e kontrolluar nga shteti Global Times, që u botua të dielën.

Vuçeviç tha se përpjekjet për pajisjen dhe modernizimin e forcave të armatosura kanë për qëllim mbrojtjen.

Presidenti i Kinës Xi Jinping, bëri thirrje për një bashkërendim më të fortë strategjik me “mikun e çeliktë” Serbinë, kur takoi presidentin e saj, Aleksandar Vuçiç, në Pekin javën e kaluar, duke u zotuar për mbështetje ndaj Serbisë në ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë tokësore të saj.

Ministri Vuçeviç tha se sistemi i raketave kundërajrore kineze me rreze të mesme veprimi FK-3 dhe fluturaket pa pilot CH-95 dhe CH-92A, janë “pa dyshim” ndër sistemet më të rëndësishme të mbrojtjes që kishte marrë Serbia.

Vendi ballkanik shfaqi raketat tokë-ajër të prodhuara nga Kina së bashku me pajisje të tjera ushtarake të blera nga Rusia dhe Perëndimi, në prill të vitit të kaluar.

Në vitin 2019 Serbia bleu sistemin e mbrojtjes tokë-ajër FK-3, të ngjashëm me sistemin rus S-300 ose sistemin amerikan Patriot. Ajo e mori sistemin vitin e kaluar.

Tensionet kanë qenë të larta në muajt e fundit midis Serbisë dhe Kosovës, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999.

Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Rusia, e cila tradicionalisht mbështet Serbinë, kanë thënë se po e vëzhgojnë situatën.

Ministri Vuçeviç tha se Serbia do të rrisë aftësitë e saj për të mbrojtur pavarësinë, por nuk shpjegoi nëse do të merrte më shumë pajisje ushtarake kineze.

Megjithatë, ai tha se ishte i sigurt që të dyja vendet do të zhvillonin marrëdhëniet e tyre, pasi Kina ishte një nga miqtë “më të besueshëm” të Serbisë.

Vuçiq: Qëllimi i Perëndimit është që Serbia ta njohë Kosovën, dialogu pritet javën e ardhshme

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të dielën se “qëllimi i vetëm” i Perëndimit është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe se pret që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë kah fundi i javës së ardhshme në Bruksel.

Vuçiqi i bëri këto deklarata gjatë një adresimi publik në televizionin Pink mëngjesin e së dielës, një ditë pasi u takua në Beograd me pesë diplomatët perëndimorë.

Ai e përsëriti se takimi i djeshëm ishte “i vështirë” për të dhe se nuk mund të jepte më shumë hollësi.

“Natyrisht, gjithçka rreth Kosovës është tejet e vështirë për ne. Njerëzit mendojnë se kjo është vetëm për shkak të Banjskës, por nuk është ashtu. Për ne ishte e tmerrshme në aspektin taktik dhe prodhoi pasoja të caktuara, por në kuptimin strategjik, qëllimi i vetëm i tyre është që ne ta njohim Kosovën”, tha Vuçiq.

Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se tentoi ta “aneksojë veriun e Kosovës” kur një grup serbësh të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Pas takimit me Vuçiqin, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, e përsëriti se sulmuesit e policisë së Kosovës në Banjskë duhet të sillen para drejtësisë dhe se incidenti duhet të hetohet tërësisht, si dhe i kërkoi Serbisë të bashkëpunojë në këtë çështje.

Emisarët perëndimorë i kërkuan Prishtinës dhe Beogradit gjatë takimeve të së shtunës me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Prishtinë, dhe presidentin serb Vuçiq në Beograd, që t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe ta zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit.

Lajçak tha se shtensionimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë më urgjente së kurrë më parë.

Lajçak deklaroi në Prishtinë se me katër diplomatët e tjerë vizituan Prishtinën dhe Beogradin me një plan.

I pyetur nëse pret trysni, Vuçiq tha se vendet e Perëndimit i kanë politikat dhe qëndrimet e veta të cilat “janë plotësisht të kundërta me qëndrimin tonë”.

“Ne duhet ta kuptojmë atë realitet. Shtetet e Bashkuara nuk do ta ndryshojnë qëndrimin, Gjermania nuk do ta ndryshojë qëndrimin”, tha Vuçiq.

Ndërkohë, kryeministri kosovar Kurti theksoi pas takimit të shtunën me pesëshen diplomatike se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën janë siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.

“Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”, tha Kurti.

Në lidhje me dialogun, ai theksoi se “është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re”.rel

Cila do të jetë përbërja e Qeverisë së re të Malit të Zi?

Përfaqësuesi Millojko Spajiq (në mes) me kolegët e partisë në seancën konstituive të Kuvendit të Malit të Zi në Podgoricë, më 27 korrik 2023.

 

Millosh Rudoviq

Pavarësisht kundërshtimit të partnerëve amerikanë dhe evropianë, forcat e ish-Frontit Demokratik (DF), pro-rus do të jenë pjesë e qeverisë së re malazeze të Millojko Spajiqit.

Sipas marrëveshjes për formimin e qeverisë, DF-ja do ta mbështesë Qeverinë e pakicës në Parlament dhe në fund të vitit të ardhshëm, përmes ristrukturimit, zyrtarisht do të bëhet pjesë e saj. Në krye të Kuvendit do të jetë gjithashtu një nga liderët e FD-së, Andrija Mandiq. Partitë e DF-së mbështesin heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë kundërshtarë të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, mohojnë gjenocidin në Srebrenicë…

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) njoftuan se janë shumë të shqetësuara që koalicioni i ri qeverisës në Mal të Zi do të formohet nga parti dhe liderë që janë aktivisht kundër vlerave euroatlantike. Mesazhe të ngjashme janë dërguar edhe nga Bashkimi Evropian.

Siç njoftuan mediat, seanca e Kuvendit, në të cilën duhet të zgjidhen kryetarët e Kuvendit dhe të Qeverisë duhet të mbahet më 26 tetor.

Nga Kuvendi i thanë Radios Evropa e Lirë se ende nuk ka ardhur iniciativa zyrtare për këtë seancë.

Vazhdimi i seancës pas tre muajsh

Seanca e parë e Kuvendit u mbajt një muaj e gjysmë pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit, në të cilat “Lëvizja Evropa tani” mori më së shumti mandate, 24 nga 81, në bazë të të cilave lideri i tyre Millojko Spajiq më 10 gusht mori mandatin për të propozuar përbërjen e Qeverisë.

Prej atëherë Kuvendi nuk është mbledhur, sepse ishte në pritje të marrëveshjes për formimin e Qeverisë.

Spajiqit iu deshën më shumë se dy muaj për të arritur marrëveshje me partitë për ndarjen e funksioneve.

Një pjesë e ministrive i merr DF-ja

Qeveria do të ketë një kryeministër, katër zëvendëskryeministra dhe 18 ministra.

Lëvizja e Spajiqit “Evropa tani”, përveç postit të kryeministrit, do të drejtojë 10 ministri, duke përfshirë atë të Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane, Drejtësisë, Financave, Shëndetësisë, Energjisë, Planifikimit Urban, Transportit, Arsimit dhe Mirëqenies Sociale.

Selia e Qeverisë së Malit të Zi, Podgoricë.

Selia e Qeverisë së Malit të Zi, Podgoricë.

Përveç dy posteve të nënkryetarëve, demokratët do të marrin gjithashtu katër ministri – atë për Punë të Brendshme, Mbrojtje, Turizëm dhe Ekologji, Kulturë dhe Media.

Partia Popullore Socialiste Pro-Serbe do të mbajë dy ministritë e Bujqësisë dhe Pylltarisë, si dhe Sportit dhe Rinisë, që e mbulon aktualisht në Qeverinë e Dritan Abazoviqit.

Edhe partitë shqiptare do t’i mbajnë dy ministritë që drejtojnë në Qeverinë aktuale, atë të të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave dhe Administratës Publike. Ato do të marrin edhe postin e zëvendëskryeministrit.

Partitë pro-ruse që në fillim përbënin Frontin Demokratik, nuk do të jenë pjesë e Qeverisë. Sipas marrëveshjes që kanë nënshkruar me mandatarin dhe partitë e tjera, ata do të hyjnë në qeveri më vonë, deri në fund të vitit të ardhshëm.

Atëherë do të marrin një post të zëvendëskryeministrit dhe katër poste ministrore – Transportin, Arsimin, Turizmin dhe Planifikim Urban.

Deri në marrjen e këtyre ministrive, DF-ja do të ketë sekretarë shtetërorë në to.
Jashtë qeverisë mbeten partitë pro-malazeze, Partia Demokratike e Socialistëve të Millo Gjukanoviqit, Socialdemokratët, Partia Liberale, partitë kombëtare të boshnjakëve dhe kroatëve, si dhe Lëvizja URA e Dritan Abazoviqit.

Çfarë thotë marrëveshja?

Partitë marrin përsipër të votojnë unanimisht zgjedhjen e Qeverisë dhe kryesisë së Kuvendit, buxhetin, seancat dëgjimore në Parlament dhe shqyrtimin e projektligjit.
Ata, gjithashtu, marrin përsipër të mos mbështesin akte që mund të “minojnë kohezionin e shoqërisë ose të shkaktojnë tensione të panevojshme”.

Pjesëmarrësit u zotuan se orientimi i politikës së jashtme të Qeverisë bazohet në përkushtimin e plotë për integrimin dhe procesin e përshpejtuar të anëtarësimit në BE, anëtarësimin në NATO dhe zhvillimin e bashkëpunimit miqësor me të gjitha vendet e njohura nga Mali i Zi.

“Qeveria do të mbetet e përkushtuar për harmonizimin e plotë të politikës së saj të jashtme me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke respektuar të gjitha detyrimet dhe kontratat e marra ndërkombëtarisht”, thuhet në tekstin e propozimit.

Kjo duhet të garantojë se Qeveria nuk do të marrë vendime që do të vënë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës, sanksionet ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe detyrimet ndaj NATO-s.

Në të njëjtën ditë kur u nënshkrua Marrëveshja, u publikua edhe një anketë e Qendrës për Edukim Qytetar për qëndrimet e qytetarëve.

Bazuar në rezultatet e marra, drejtoresha e “Qendrës të së drejtës civile” Daliborka Ulareviq, konkludoi se qeveria e ardhshme do të dominohet nga partitë, përkrahësit e së cilave nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të cilët janë në anën e Rusisë në luftën kundër Ukrainës dhe janë kundër sanksioneve kundër Moskës.

Marrëveshja nënkupton gjithashtu se palët do të avokojnë për shtetin e së drejtës, reformat zgjedhore, barazinë dhe barazinë e qytetarëve dhe drejtësinë sociale.

Një nga pikat është se ata do të respektojnë Kushtetutën dhe vendimet e gjykatave.

Daniel Zhivkoviq

Daniel Zhivkoviq

Në një nga reagimet e para për përbërjen e qeverisë së re, kryetari i DPS-së opozitare, Danijel Zhivkoviq, vlerësoi se ishte një qeveri antievropiane dhe antimalazeze.

Përkatësisht, në Qeveri nuk ka përfaqësues të partive pro-malazeze.

“Qëllimi i kësaj strukture aktuale qeverisëse është që Mali i Zi të mos jetë më anëtar i BE-së apo NATO-s”.

Zhivkoviq e komentoi edhe pjesëmarrjen e partive shqiptare në Qeveri, të cilat prej vitesh kanë qenë partnerë tradicionalë të DPS-së së Gjukanoviqit.

Siç tha ai, pikërisht ato forca, me të cilat partitë shqiptare do të jenë tani në Qeveri kontribuuan në eksodin e shqiptarëve në vitet ‘90.

“Por, ky është vendimi i tyre politik, me të cilin do të duhet të përballen”.

Dhe një nga liderët e partive shqiptare, Nik Gjeloshaj, tha se vendimi i tyre për t’u bashkuar me qeverinë ishte “lehtësuar nga fryma demokratike, properëndimore e mandatarit Spajiq”.

Ai vuri në dukje se ka pasur dallime me disa forca politike, por koha i zbuti ato dhe e bëri të qartë domosdoshmërinë e veprimit të përbashkët për të forcuar bashkëjetesën në Mal të Zi.

Qeveria e Millojko Spajiqit do të jetë e treta që nga shkarkimi i qeverisë tredekadëshe të DPS-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020.

Dy të mëparshmet e humbën besimin në Kuvend – Qeveria e Zdravko Krivokapiqit në shkurt 2022 dhe ajo e Dritan Abazoviqit në gusht të po atij viti.

Rezoluta e PE- Konfirmohet bllokimi i Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në BE

Parlamenti Evropian votoi sot Rezolutën për Malin e Zi, e cila konfirmon bllokimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).

“Arsyet janë dështimi për të ndërtuar një konsensus për çështjet me interes kombëtar dhe mungesa e dialogut ndërpartiak. E gjithë kjo çoi në vonesën e përparimit në reforma dhe e shtyu Malin e Zi në një krizë të thellë politike dhe institucionale,” thuhet në dokumentin e PE, ndër të tjera.

529 përfaqësues evropianë votuan “pro” në seancën plenare, 51 ishin kundër dhe 53 abstenuan.

Në prag të miratimit të rezolutës, PE zhvilloi dje një diskutim për situatën në Mal të Zi, nga ku thuajse njëzëri u njoftua se Podgorica zyrtare prej vitesh është në ngecje në procesin e integrimit evropian për shkak të paqëndrueshmërisë politike. situatë. Teksti i rezolutës përfshin edhe një amendament që kërkon që Mali i Zi të bëjë regjistrimin e popullsisë “sapo të përfundojë bllokimi politik në vend”, raporton Radio Evropa e Lirë.

Vuçiqi thotë se bisedoi me Putinin në Kinë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të martën se e zhvilloi “një bisedë të shkurtër” me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, me të cilin, megjithatë, tha se “nuk pati takim dypalësh” gjatë vizitës së tyre në Pekin.

Ai nuk dha hollësi se çfarë kanë biseduar gjatë takimit të martën në kryeqytetin kinez.

Vuçiqi dhe Putini morën pjesë në forumin ndërkombëtar të iniciativës kineze “Belt and Road” në Pekin.

Kjo është hera e parë që ata takohen në të njëjtin vend qëkur Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në mars të vitit 2022.

Serbia është në shënjestër të kritikave nga Bashkimi Evropian, sepse nuk po pranon të vendosë sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

Vuçiq dhe Daçiq për marrëveshjet e nënshkruara me Kinën

Vuçiqi tha të martën në Pekin se qytetarët serbë do ta ndiejnë efektin e nënshkrimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Serbisë dhe Kinës.

Serbia dhe Kina nënshkruan një sërë marrëveshjesh më 17 tetor, ndër të cilat më e rëndësishmja është Marrëveshja e Tregtisë së Lirë.

Vuçiq deklaroi se frutikulturat “do ta kenë më të lehtë të gjejnë tregun e tyre pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje”.

“Qytetarët do të ndiejnë se ekonomia po rritet. Nga kjo jetojmë të gjithë ne, me atë jeton sektori publik. Pagat dhe pensionet varen nga ajo se sa e fortë është ekonomia jonë”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se bisedimet u zhvilluan “me presidentin kinez për thellimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në të gjitha nivelet”. Ai nuk dha detaje të tjera.

Vuçiq, po ashtu, ka deklaruar se vizita në Pekin është shfrytëzuar edhe për “të bërë miq në Afrikë dhe Azi”.

Vuçiq, ndërkaq, është duke udhëhequr delegacionin serb në Kinë në forumin ndërkombëtar “Belt and Road” dhe shoqërohet nga ministra të shumtë të Qeverisë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, i është përgjigjur kritikave të BE-së për nënshkrimin e marrëveshjes me Kinën.

Duke reaguar ndaj nënshkrimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me Kinën më 17 tetor, Bashkimi Evropian njoftoi se Serbia, si kandidate për anëtarësim në BE, u zotua të tërhiqet “nga të gjitha marrëveshjet dypalëshe të tregtisë së lirë” në ditën e anëtarësimit në bllok.

Daçiq tha se BE-ja duhet së pari të përgjigjet kur do t’i bashkohet Serbia bllokut.

“Deri atëherë, ne duhet të bëjmë punën tonë, e cila është në interes të popullit tonë”, tha Daçiq, duke shtuar se Marrëveshja për tregtinë e lirë ndërmjet Serbisë dhe Kinës “është një arritje historike që do të jetë me përfitim të madh për Serbinë në dekadat e ardhshme”.rel

Liderët e BE dhe të Ballkanit sot në Tiranë, Vuçiçi niset drejt Kinës, në forum edhe Putini

Ndërsa në Tiranë po mbahet një samit në kuadër të procesit të Berlinit, ne kryeqytetin kinez zhvillohet forumi i tretë ‘Brez dhe Rrugë’ ku do të marrë pjesë edhe presidenti rus Vladimir Putin. Edhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe delegacioni i qeverisë së Serbisë, janë nisur këtë të hënë për në Pekin për të qenë të pranishëm në këtë forum. Presidenti i Serbisë deklaroi se vizita në Kinë është shumë e rëndësishme në momente që nuk janë aspak të lehta.

Vuçiç paralajmëroi takime dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme me Kinën, si dhe takime dypalëshe me presidentin kinez Xi Jinping. Udhëheqësit, përfaqësuesit dhe delegacionet nga më shumë se 140 vende, duke përfshirë Lindjen e Mesme pritet të takohen në kryeqytetin kinez për mbledhjen dy-ditore.

Ne vitin 2013 Kina rriti shpenzimet e saj, pas propozimit të udhëheqësit Xi Jinping për krijimin e asaj që ai e quajti nisma “Një Brez Një Rrugë”, një projekt që parasheh investime infrastrukturore në vende në zhvillim. Vëzhguesit thonë se strategjia e Kinës mund të jetë ndikimi politik në vendet ku janë shtrirë investimet e saj.bw

Jovanoviç: Serbët e Kosovës janë pengje të politikës së Beogradit

Beograd – Çedomir Jovanoviq, kryetar i Partisë Liberaldemokrate të Serbisë, ka folur për situatën më të re pas agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, përmes sulmit terrorist të një grupi kriminal serb, më 24 shtator. Ai tha se e gjithë kjo vjen nga mungesa e përgjigjes se çfarë është e ardhmja e Kosovës.

Lidhur me agresionin terrorist nga Serbia përmes një grupit kriminal serb në veri të Kosovës, Jovanoviq tha se ndiente keqardhje për policin e vrarë të Kosovës, por edhe për ata serbë fatkeq që humbën jetën ashtu siç kanë humbur jetën serbët për 30 vjet me radhë, në Kroaci, Bosnjë e Kosovë.

“Fatkeqësisht këto janë pasojat e gabimeve të mëdha e mungesë së marrëveshjeve, e pasiqneritetit që aq shumë ka ngarkuar jetesën e serbëve në Kosovë.

Për situatën në të cilën ndodhemi, ai i vë përgjegjës liderët politikë rajonal, por edhe në BE.

“Unë besoj se në Kosovë mund të ketë bashkëjetesë. Kam shumë miq në Kosovë që duan paqen, ashtu sikurse edhe në Serbi ka shumë njerëz që e duan paqen. Ashtu edhe serbët në Kosovë janë të vetëdijshëm se nuk ka lumturi, nëse nuk ka edhe pala tjetër. Paqja e lumturia është e ndërsjellë”, deklaroi Jovanoviq.

Veprimi në Banjskë nuk është kryer brenda natës

Ndërkaq për situatën në veri të Kosovës, Jovanoviq tha se ai veprim nuk është kryer brenda natës dhe që KFOR-i nuk e ka kryer punën e vet dhe e di që nuk ka kushte politike që do të garantonin një jetë të qetë , derisa u shpreh se nuk beson në opsionin e luftës mes Kosovës e Serbisë, që dikush nga Serbia do të mund ta kalonte vijën kufitare e të vinte, siç u shpreh ai, te Ura e Ibrit.

“As Rugova e as Agani nuk ishin armiq të Serbisë, por njerëz që vuanin duke kërkuar një lloj hapësire për vetveten, pastaj erdhi koha e luftës që përfundoi më 1999, por jo me një paqe të qëndrueshme dhe zgjidhje politike që do të siguronin bashkëjetesë, por me kompromise të rënda që tani shkaktojnë atë që është esencë e problemit të Kosovës e kjo është mungesa e përgjigjes së pyetjen se çfarë është e ardhmja e Kosovës? Kosova nuk është shtet për Serbinë , nuk është as për Borrellin e as për Lajçakun, që udhëheqin negociata ndërmjet Kosovës e Serbisë, por edhe ata vende që kanë njohur Kosovën kanë folur për të si për vrimën e zezë të Evropës, duke keqtrajtuar qytetarët e Kosovë me regjim të vizave dhe në fund kanë kërcënuar gjatë kësaj vere me sanksione që unë kam qenë kundër kësaj se kjo nuk është rruga drejt zgjidhje së çështjes”, ka thënë Jovanoviq në “Lajmet e fundit”, në RTK.

Fati i serbëve të Kosovë nuk është ofruar për zgjidhje në Kosovë por në Beograd

Lidhur me Radojçiqin e Veselinoviqin, Jovanoviq tha se nuk janë përfaqësues të denjë të popullit serbë në Kosovë, por ajo që potencoi ai është se askush nuk është mërzitur se çfarë mendojnë serbët e Kosovës në negociatat në mes Kosovës e Serbisë.

“Fati i serbëve të Kosovë nuk është ofruar për zgjidhje në Kosovë, por në Beograd” , deklaroi Jovanoviq, derisa u shpreh se më mirë do të ishte të kishte më shumë pluralizëm te serbët e Kosovës.

I pyetur për dorëzimin e Radojçiqit dhe lejimin e një hetimi ndërkombëtar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, Jovanoviq u shpreh se këtë nuk do ta lejojë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, derisa shtoi se serbët në Kosovë janë pengje të politikës që udhëhiqet nga Beogradi.

Image

Një avion me dhjetëra udhëtarë, përfshirë nga Kosova, mbërrin nga Izraeli në Podgoricë

Një avion i kompanisë ajrore Air Montenegro me dhjetëra udhëtarë në bord, përfshirë nga Kosova, është ulur në Podgoricë pas fluturimit nga Izraeli të martën në mëngjes.

Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi njoftoi në rrjetin social X se “101 pasagjerë mbërritën në Podgoricë nga Izraeli, nga vende si Mali i Zi, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sllovenia, Serbia dhe Suedia”.

Më 9 tetor, avioni embraer 195 i kishte dërguar në Izrael 116 turistë izraelitë që po qëndronin në Mal të Zi.

Fluturimi i evakuimit për në Podgoricë u krye në orën 03:17 të mëngjesit të sotëm.

Pas përcaktimit të listës së shtetasve malazezë që aplikuan për kthim, lista e pasagjerëve u zgjerua duke përfshirë pasagjerët që prisnin evakuimin nga disa vende të tjera dhe në komunikim me autoritetet e atyre vendeve.

Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme, për gjashtë shtetas malazezë që ndodhen në qytetin Eilat, në jug të Izraelit, dhe të cilët për arsye sigurie nuk kanë mundur të udhëtojnë në Tel Aviv dhe të hipin në këtë fluturim, Ministria i ka lejuar kalimin e kufirit me Jordaninë dhe transferimi në aeroportin më të afërt atje.

Izraeli shpalli gjendje lufte pasi u sulmua nga militantët palestinezë të Hamasit më 7 tetor. Si kundërpërgjigje, ushtria izraelite filloi të bombardonte Rripin e Gazës.

Më shumë se 1.600 njerëz u vranë nga të dyja anët.

Incident në Serbi/ “Vrasësi po shëtit nëpër Beograd, i ftohtë si vdekja”, ambasadori amerikan sulmohet verbalisht teksa kishte dalë me bashkëshorten e tij

“Vrasësi po shëtit nëpër Beograd, i ftohtë si vdekja”, “vrasësi i fëmijëve”, “Kosova dhe Metohija është pjesë e Serbisë”, “Populli serb është me Rusinë”. Janë disa nga fjalët me të cilat është fyer dhe sulmuar ambasadori amerikan në Serbi.

Ambasadori Christopher Hill është sulmuar verbalisht nga disa gra nëpër rrugët e Beogradit ndërsa ecte me bashkëshorten e tij. Teksa e kanë fyer me fjalë të rënda, gratë ‘protestuese’ e kanë filmuar për 10 minuta Ambasadorin për rolin e tij në vitin 1999 kur ishte bombarduar Serbia.

Hill ishte njëri nga negociatorët amerikanë që kishte provuar të gjejë një zgjidhje paqësore për Kosovën e Serbinë. Por Millosheviçi i kishte hedhur poshtë të gjitha ofertat që kishte çuar në bombardimin e Republikës Federale të Jugosllavisë.

Hill ka filluar punën si ambasador i SHBA në Beograd në mars të vitit të kaluar. Si duket reputacioni i tij tek serbët është ende ai i ‘bombarduesit’ të Serbisë.

“Populli serb e përkrah Rusinë, populli serb nuk i përkrah nazistët e Ukrainës. Po shëtisni i lirë në tokën serbe ndërsa po sundojnë tradhtarët”, “Kosova dhe Metohija do jenë përgjithmonë serbe”, kanë qenë disa nga fjalët ndaj Ambasadorit i cili kohë pas kohe ka kontrolluar telefonin e tij dhe i paprovokuar ka ecur drejt një muzeu.bw

Kryeministri i Bosnjës mohon deklaratat e Vuçiçit: Armatimi s’është nga Tuzlla, Serbia të mos kërkojë alibi!

Kryeministri i Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Nermin Nikshiç, mohoi se armët e përdorura në sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë janë blerë në Tuzlla, duke i quajtur ato pretendime të rreme dhe tha se nuk mund të mbështeten me asnjë provë. “Unë e kuptoj që Serbia në ditët e fundit ka qenë e ekspozuar ndaj presionit të madh nga shtetet demokratike, por kjo nuk do të thotë se ata mund të kërkojnë alibi për veprimet e tyre në Bosnje dhe Hercegovinë. Serbia nuk mund të kërkojë përgjegjësi nga kjo anë e kufirit për furnizimin me armë, trajnimin e formacioneve paraushtarake dhe grupeve të qytetarëve serbë dhe zyrtarëve lokalë që shkaktuan konfliktin e armatosur në veri të Kosovës”.

“Shërbimet e inteligjencës së Serbisë dhe udhëheqja e saj politike, për fat të keq, kanë hartuar një plan për të transferuar një pjesë të përgjegjësisë në Bosnjë dhe Hercegovinë për sulmin terrorist në vendin fqinj. Duke pasur parasysh situatën politike në vendin tonë, ata ndoshta kanë vlerësuar se nuk do të ketë reagime adekuate, të shpejta dhe të sakta të bazuara në fakte. Na kanë nënvlerësuar sërish”, ka thënë Nikshiç, raporton N1info.
Ai deklaroi se armët e gjetura nga policia e Kosovës “nuk janë prodhuar në Bosnje dhe Hercegovinë” dhe se Policia e Kosovës publikisht ka nxjerrë në pah numrat serial të predhave të mortajave dhe llojeve të tjera të municionit që janë “prodhuar në fabrikat serbe të Sllobodës, Krushikut”.

Sipas ligjeve të vendit tonë, gjatë eksportimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake, deri në gëzhoja individuale, në çdo vend tjetër kryhen procedurat më të rrepta sipas standardeve të NATO-s dhe në bashkëpunim me NATO-n. Kërkohet gjithashtu një certifikatë “përdoruesi fundor” (certifikatë për përdoruesin përfundimtar të mallit) dhe leje nga katër ministritë shtetërore (Ministria e Mbrojtjes, Sigurisë, Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike), si dhe vërtetime nga Ministria kompetente e Punëve të Brendshme për emrat e drejtuesve të mjeteve, numrat e regjistrimit përcaktimin e mjeteve që kryejnë transport, rrugët e lëvizjes etj. Natyrisht, të gjitha informacionet objektive thonë se shërbimet serbe kanë publikuar informacione të rreme. Ata rillogaritën nëse mendonin se një shaka e tillë do të kalonte pa reagim”.

“I bëjmë thirrje Serbisë që në mënyrë transparente të hetojë shkaqet e vërteta dhe të zbulojë publikisht organizatorët dhe nxitësit e vërtetë të sulmit terrorist, sepse ne e dimë se ata e dinë se kush janë ata në të vërtetë”, tha Nikshiç.bw

Ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së vizituan kazermat e ushtrisë në jug të Serbisë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Beograd, Christopher Hill, dhe ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Beograd, Emanuele Giaufret, u takuan të enjten në jug të Serbisë me ministrin e Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Millan Mojsilloviq.

Këtë e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë Ambasada e SHBA-së në Beograd.

Sipas raportimeve, takimi është zhvilluar me ftesë të zyrtarëve ushtarakë dhe shtetërorë të Serbisë, në mënyrë “që Hilli dhe Giaufret të mësojnë më shumë” për situatën pranë kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Vizita e Hillit dhe Giaufretit në kazermat e Ushtrisë Serbe vjen rreth dhjetë ditë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit, u vranë tre sulmues serbë.

Dhe, po ashtu, disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën shqetësime se Serbia kishte zhvendosur trupat e saj në afërsi të kufirit me Kosovën, duke i bërë thirrje asaj t’i tërheqë ato.

Disa media në Serbi raportuan më herët se diplomati amerikan fillimisht zbarkoi në helikopterin e Ushtrisë Serbe në kazermën “Stefan Nemanja” në Rashkë dhe më e vizitoi kazermën “Rifat Burxheviq Trsho” në Novi Pazar.

Të dyja kazermat ndodhen afër kufirit të Serbisë dhe Kosovës.

Ministria e Mbrojtjes së Serbisë njoftoi se dy diplomatët e huaj “ishin mysafirë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq, gjatë një vizite të shkurtër në disa njësi të Forcave të Armatosura të Serbisë në zonën e gjerë të Novi Pazarit”.

“Gjatë vizitës ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së patën mundësinë të sigurohen që njësitet e Forcave të Armatosura të Serbisë në atë zonë kryejnë vetëm detyrat e tyre të rregullta”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Derisa Serbia e ka mohuar çfarëdo përfshirje në këtë sulm, përgjegjësinë për të e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Ai u mor në pyetje dhe u lirua menjëherë nga autoritetet serbe më 4 tetor.

Pas kritikave nga SHBA-ja dhe BE-ja, Serbia filloi t’i tërheqë një pjesë të forcave të saj nga kufiri.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha në një intervistë për CNN më 2 tetor se raportet për rritjen e numrit të pjesëtarëve të ushtrisë në jug “nuk ishin plotësisht të vërteta” dhe deklaroi se një vit më parë ushtria serbe kishte 14,000 ushtarë në kufirin me Kosovën, ndërsa sot ka “vetëm 4.400”.

Serbia liron nga paraburgimi Radoiçiçin, i ndalohet hyrja në Kosovë

Gjykata e Lartë e Serbisë ka liruar Milan Radoiçiçin një ditë pas arrestimit, ndërsa atij i është konfiskuar pasaporta dhe i është ndaluar hyrja në Kosovë.

Gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për Radoiçiçin, pas intervistimit.

Prokuroria e kishte kërkuar paraburgimin me arsyetimin e rrezikut të arratisjes.

Me vendimin e 4 tetorit, atij i është ndaluar largimi prej territorit të Serbisë, pa miratim të gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës.

Sipas këtij vendimi, ai do të duhet të paraqitet në stacionin policor kompetent në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.

Atij i është konfiskuar përkohësisht dokumenti i udhëtimit, përkatësisht pasaporta e Republikës së Serbisë, dhe ai është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel të drejtat dhe detyrimet.

Ai akuzohet për blerje të armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzla në Bosnje dhe Hercegovinë, nga janari 2023 deri më 24 shtator.

Radoiçiç e ka mohuar kryerjen e këtyre krimeve.

Arrestohet nga Beogradi ish-nënkryetari i Listës Serbe Milan Radojçiç

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka njoftuar se ka arrestuar terroristin Milan Radojçiç, i cili pranoi se ishte pjesë grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës, madje organizator.

“Më 3 tetor 2023, punonjësit e policisë së Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë kontrolluar banesën dhe lokalet e tjera të Milan Radoiçiçit, i cili është urdhëruar që policia të ndalojë deri në 48 orë. Ai është sjellë në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me një kallëzim penal”, thotë MPB e Serbisë, raporton Nova.rs.

Më 30 shtator, Radojiçiç i është përgjigjur edhe një thirrje të Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe bashkë me avokatin e tij ishte parë duke hyrë në ambientet e Ministrisë.

Një ditë para se të paraqitej në ministrinë serbe, Radojiçiç e ka marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku është vrarë një zyrtar policor dhe ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi.bw

Kryeministri kroat: Sulmi serb në veri nuk mund të mbetet pa përgjigje!

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç ka dënuar ashpër dhunën e njësive paraushtarake serbe në veri të Kosovës, si dhe ‘heroizimin’ e tyre nga Beogradi, duke kërkuar nga BE dhe Perëndimi të marrin masa kundër Serbisë.

Plenkoviç theksoi se këto lëvizje ‘nuk mund të mbeten pa përgjigje’ dhe se vendimi i Beogradit në ditën e zisë ‘pothuajse nënkupton identifikimin me atë që ka ndodhur’.

Ai theksoi nevojën e një hetim për të përcaktuar plotësisht se çfarë ka ndodhur, pas së cilës i dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të propozojë masa.

Bogdanoviq: Është e qartë tani se Oliver Ivanoviqi u vra nga Serbia, aktin e kreu Radoiçiqi

Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Odgovor” Boban Bogdanoviq ka bërë publike një informacion që ai ka pranuar lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit në veri të Kosovës.

Bogdanoviq duke iu referuar burimeve të tija thotë se politikani serb Oliver Ivanoviq është vrarë nga një terrorist që ishte pjesë e sulmit e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

“Sapo mora informacion tronditës, në formacionin terrorist nën komandën e terroristit ndërkombëtar Millan Radoiçiq në sulmin në veri të Kosovës ishte edhe vrasësi i Oliver Ivanoviq. Tani gjithçka është plotësisht e qartë, Oliveri u vra me mbështetje politike nga Beogradi”, ka shkruar ai në rrjetin social “X”.

Bogdanoviq muaj më parë ka thënë se është intervistuar nga Agjencia Informative e Sigurisë së Serbisë (BIA), pasi jep deklarata në mbështetje për Kosovën në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.

Tutje ka treguar se për dy ditë ka pranuar telefonata në këmbim që të mos kritikohet Lista Serbe dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Sipas Bogdanoviqit, këto thirrje kanë ardhur me qëllimin se në Qeverinë e ardhshme të Kosovës këtij t’i ofrohet një pozitë ministrore dhe të jetë nënkryetar i Listës Serbe.

Jo vetëm Bogdanoviq, por edhe politikanë të tjerë në Kosovë kanë treguar se regjimi i Beogradit po i shantazhon në forma të ndryshme të gjithë ata që nuk janë në Listën Serbe apo përkrahës të saj.

Sulmi terrorist në Turqi, PKK merr përgjegjësinë

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) mori përgjegjësinë për sulmin terrorist mëngjesin e sotëm në Ankara, përballë ndërtesës së Ministrisë së Brendshme.

“Një akt sakrifice u krye kundër Ministrisë së Brendshme turke nga një grup i lidhur me Brigadën e të Pavdekshmëve”, tha grupi i armatosur për median e lidhur me kurdët ANF.

PKK është klasifikuar si organizatë terroriste nga Turqia dhe shumë vende perëndimore.bw

Vërehet lëvizja e një kolone ushtarake në jug të Serbisë

Automjete të ushtrisë serbe duke lëvizur nga Vranja drejt Nishit, në jug të Serbisë, 30 shtator 2023.

Të shtunën është vërejtur lëvizja e një autokolone ushtarake në jug të Serbisë, nga drejtimi i Vranjës në drejtim të Nishit, afër qytetit të Predejanës, pas shqetësimeve që Uashingtoni dhe Brukseli shprehën për zhvendosjen e forcave serbe përgjatë kufirit me Kosovën.

Qyteti i Predejanit ndodhet 300 kilometra në jug të Beogradit dhe rreth 100 kilometra nga pikëkalimi më i afërt kufitar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Merdarë.

Kolona me automjete të ushtrisë serbe, siç thekson reporteri i Radios Evropa e Lirë, rreth mesditës po lëvizte nga jugu në veri të vendit.

Automjete të ushtrisë serbe duke lëvizur nga Vranja drejt Nishit, në jug të Serbisë, 30 shtator 2023.

Automjete të ushtrisë serbe duke lëvizur nga Vranja drejt Nishit, në jug të Serbisë, 30 shtator 2023.

Zhvendosja trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen rreth një javë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor.

Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.

Mesazhe nga SHBA dhe BE

Shtetet e Bashkuara (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë shprehur shqetësimin e tyre për vendosjen e trupave serbe pranë kufirit me Kosovën.

Gjatë një bisede me gazetarët më 29 shtator, koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

Një ditë më vonë, kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, theksoi se BE-ja është shumë e shqetësuar për forcimin e pranisë ushtarake të Serbisë përgjatë kufirit dhe tha se kjo është “shqetësuese dhe duhet të ndalet menjëherë”.

Cili është reagimi i Beogradit?

Megjithatë, Serbia pretendon se nuk e ka ngritur nivelin e gatishmërisë luftarake.

Në një deklaratë për media më 29 shtator, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se “ka të pavërteta për nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake të Serbisë”, pasi, siç pretendon, ai nuk e ka miratuar këtë.

Pas sulmit ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, Ushtria Serbe përmes një komunikate për media (27 shtator) njoftoi se ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, i vizitoi njësitet e ushtrisë “në zonën e dislokimit të tyre” atë ditë, por pa saktësuar se në cilën pjesë të Serbisë.

Ushtria serbe ka dislokuar trupat e saj përgjatë kufirit me Kosovën, pas sulmit ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, e cila mohon çdo lidhje dhe njoftoi se do ta hetojë njërin prej liderëve kryesorë të serbëve të Kosovës, Millan Radoiçiq, i cili e mori përgjegjësinë e plotë për sulmin, sipas avokatit të tij.

REL-i i dërgoi pyetje Ministrisë së Mbrojtjes në Qeverinë e Serbisë për paralajmërimet e Uashingtonit dhe mbi çfarë baze ushtria po grupohet rreth kufirit nëse – siç tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq – ai nuk e nënshkruan ngritjen e gatishmërisë luftarake, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.

Avokati Petronijeviq i drejtohet publikut në emër të Millan Radoiçiqit

Goran Petronijeviq, avokat i nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

 

Goran Petronijeviq, avokat i nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, do ta mbajë të premten një konferencë për media në Beograd, sipas faqes së Qendrës Mediale në kryeqytetin e Serbisë.

Mediat serbe janë duke raportuar se Petronijeviqi do ta lexojë një letër të Radoiçiqit për publikun.

Kjo do të jetë hera e parë që Radoiçiqi reagon publikisht, pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra një zyrtar policor.

Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur tre sulmues.

Radoiçiq është akuzuar nga autoritetet e Kosovës se ka organizuar dhe ka qenë pjesë e sulmeve ndaj Policisë në Banjskë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka publikuar një pamje me dron, duke thënë se njëri prej burrave – që shihet i veshur me uniformë me armë në dorë – ka qenë vetë Radoiçiq.

Deri më tani, deklarimet e tij për publikun janë përcjellë gjithmonë nga Lista Serbe.

Kjo parti nuk është deklaruar rreth akuzave të autoriteteve të Kosovës ndaj Radoiçiqit, i cili është në arrati.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit, dhe e ka mohuar përfshirjen e shtetit të tij në këtë sulm.

Kush është Petronijeviq, i autorizuari i Radoiçiqit?

Petronijeviq ka qenë “vëzhgues” në zgjedhjet e mbajtura javë më parë nga autoritetet ruse në territoret e pushtuara ukrainase.

Përgjatë regjimit të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, ai ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Pejës në Kosovë.

Në atë pozitë, në maj të vitit 2000, ai i ka dënuar 150 shqiptarë të Kosovës me një total prej 1.600 vjetëve burgim nën dyshimet për kryerje të terrorizmit.

Ai është larguar nga pozita e gjyqtarit pas ndryshimeve demokratike të 5 tetorit në Serbi, dhe më pas e ka ushtruar profesionin e avokatit.

Para gjykatës ndërkombëtare, ai i ka përfaqësuar disa klientë nga Serbia, të akuzuar për krime lufte.

Më i famshmi është Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjykatën e Hagës për krime lufte.

Para Tribunalit në Hagë, ai e ka mbrojtur gjithashtu ish-oficerin e ushtrisë jugosllave, Veselin Shlivançanin, i cili është dënuar për krime lufte në Ovçara afër Vukovarit.

Në mesin e gushtit, Petronijeviq ka njoftuar për një iniciativë për ta mbrojtur Millorad Dodikun, presidentin e entitetit Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës.

Më herët Prokuroria e Bosnjës ka ngritur aktakuzë kundër Dodikut për mosbindje ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt.

Vuçiçi e pranon: Radoiçiçi gjendet në Serbi dhe do të merret në pyetje

VOA

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, gjendet në Serbi dhe do të merret në pyetje nga organet serbe.

“Ai definitivisht do t’i përgjigjet ftesës nga autoritetet kompetente në Serbi. Republika e Serbisë dhe autoritetet kompetente do të bëjnë punën e tyre”, tha ai.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, Vuçiq tha se Radoiçiqi gjendet në territorin “e Serbisë qendrore” dhe mohoi se është i plagosur.

Kosova ka akuzuar Radoiçiçin se ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në sulmin më 24 shtator ku u vra një polic i Kosovës dhe tre sulmues të dyshuar.

“Millan Radoiçiç kurrë nuk është fshehur, kurrë nuk është turpëruar për rolin e tij… në diçka që ka ndodhur që nuk është në të mirë të Serbisë apo që nuk i ka sjell dobi Serbisë”, tha ai.

“Ai e konsideron veten luftëtar të lirisë, ai kurrë nuk ka hequr dorë nga shokët e tij dhe kurrë nuk do ta bëjë, por ka gjëra dhe pyetje që ai duhet t’iu përgjigjet”, tha presidenti serb.

Për pjesëmarrjen e pretenduar të Radoiçiçit në sulmin ndaj Policisë – i cili është nën sanksione amerikane dhe kërkohet në Kosovë për frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si Brezovica – ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar edhe një video të incizuar me dron, që tha se e shfaq zyrtarin e Listës Serbe në Banjskë.

I pyetur për vërtetësinë e videos dhe nëse Radoiçiç ishte në Banjskë, Vuçiç tha se kjo do të përcaktohet nga autoritetet kompetente.

Kur u pyet për qëllimin e grupit të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës, Vuçiç tha:

“Si mund ta di këtë, por jam i sigurt se ata shkuan të ruanin shtëpitë e tyre dhe u përgatitën për sulme në të ardhmen”.

Nataša Kandić: Është e qartë që gjithçka është e përgatitur në Serbi!

Natasha Kandiç, aktiviste e shquar serbe e të drejtave të njeriut dhe themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare vazhdon reagimet e saj rreth situatës në veri të Kosovës:

Kryeministrja thotë se @avucic paralajmëroi se do të ketë konflikt,

ndërsa për sulmuesit në autoblinda thotë se “serbët rebelë po rezistojnë”

– është e qartë se gjithçka është e përgatitur në Serbi.

Le të mos e përmend më përkushtimin për paqen dhe se fajin për gjithçka e ka Kurti.”

Rada Trajkoviq: Beogradi nuk ishte i befasuar nga konflikti i 24 shtatorit, që ndodhi në fshatin Banjskë, të Zveçanit

Trajkoviq: Kam informacione se janë vrarë më shumë se tre serbë, dikush negocioi për ta nxjerrë atë grup nga Kosova – Gazeta Express

“Ku është heroi më i madh i serbëve nga Kosova, siç e quajti presidenti”, pyeti Trajkoviç, duke i kujtuar asaj se ai është në listën e zezë për shkak të dyshimit se ka marrë pjesë në organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe është i lartë në krimet transnacionale. . Që nga vrasja e Oliverit ne kemi kërkuar që ata të izolohen, por ata janë mbështetur dhe financuar gjithnjë e më shumë, thekson Trajkoviq.

—–

Duke komentuar sulmet e formacioneve ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve të Kosovës, njëherësh edhe këshilltarja e ministrit për Komunitete e Kthim në Qeverinë e Kosovës, Rada Trajkoviq, ka thënë se në veri po zhvillohet “një luftë e pamëshirshme”.

Trajkoviq, ka shtuar Beogradi nuk ishte i befasuar nga konflikti i 24 shtatorit, që ndodhi në fshatin Banjskë, të Zveçanit (mes policisë dhe formacionit kriminal).

Këshilltarja në Qeverinë e Kosovës ka theksuar se dikush ka negociuar për të nxjerrë atë formacion kriminal prej Kosovës.

“…Është mirë që dikush negocioi dhe punoi për ta nxjerrë atë grup nga Kosova”, ka thënë ajo për “N1“.

Sipas saj, ka shumë gjasa që përfaqësuesit ndërkombëtarë në thelb kanë ndihmuar në nxjerrjen e njerëzve që ishin të vendosur të luftonin deri në fund.

“Përgatitja e policisë së Kosovës është në nivel të lartë, si mendoni se do të dukej Serbia sot po të kishim 30 serbë të vrarë, në anën tjetër shqiptarë të vrarë. “Çfarë do të ishte kjo?” pyeti ajo.

Sipas saj, pjesëtarët e policisë së Kosovës sigurisht që nuk do të punonin në një plan për nxjerrjen e njerëzve që vranë kolegun e tyre.

“Ata mund të jenë vetëm në Serbinë qendrore dhe të merren nga autoritetet e sigurisë – BIA, policia, gjyqësori, në mënyrë që të kryhen procedura që do t’i thërrasin këta njerëz në përgjegjësi”, ka thënë Trajkoviq, duke theksuar se shteti përgjegjës duhet të përcaktojë kush qëndron pas tyre.

Ai projekt, beson ajo, është drejtpërdrejt në dëm të Serbisë dhe serbëve në Kosovë e Metohi. Ajo e pyeti kryeministren serbe Ana Brnabiq se pse projektet më fitimprurëse ua jep Milan Radoiçiqit dhe Zvonk Veselinoviqit, të cilët, siç thotë ajo, “kanë fuqi financiare për të furnizuar njerëzit me uniforma, armë dhe mjete të blinduara jashtë shtetit”. Njëri nga ata, identiteti i të cilit u zbulua – Spaleviq, sipas Rada Trajkoviçit, është 23 vjeç dhe kur Vuçiq erdhi në pushtet dhe u organizua dhe filloi të punojë në Kosovë, ai ishte 13 vjeç. “Radoiçiq rekrutonte njerëz me kulturën e tij mafioze të sjelljes. “Ku është heroi më i madh i serbëve nga Kosova, siç e quajti presidenti”, pyeti Trajkoviç, duke i kujtuar asaj se ai është në listën e zezë për shkak të dyshimit se ka marrë pjesë në organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe është i lartë në krimet transnacionale. . Që nga vrasja e Oliverit ne kemi kërkuar që ata të izolohen, por ata janë mbështetur dhe financuar gjithnjë e më shumë, thekson Trajkoviq.

Trajkoviq ka thënë se në veri të Kosovës po zhvillohet një “luftë e pamëshirshme” dhe se Beogradi nuk ishte i befasuar nga sulmi i së dielës, por e pa se “aksioni nuk ishte i përgatitur sa duhet dhe se do t’i shkaktonte një goditje të madhe Beogradit”.

 

“Prandaj kishte heshtje, prandaj të gjithë hoqën dorë nga serbët nga Kosova, fjalë për fjalë i lanë të vetëm”, citohet të ketë thënë Trajkoviq për ngjarjet në veri të Kosovës në fshatin Banjskë

“Sot kemi tre serbë të vrarë, ka zëra për më shumë, kam informacione që thonë se ka më shumë”, citohet të ketë thënë më tej ajo./Gazeta Express

Vuçiq bisedon me ambasadorin rus në Serbi, një ditë pas sulmit në veri të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (djathtas) dhe ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko, një ditë pas sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.

“Jam mirënjohës që (ambasadori rus) i dëgjoi lutjet dhe kërkesat e palës serbe”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram më 25 shtator.

Ai nuk ka dhënë hollësi se për çfarë kërkesash bëhet fjalë.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, më 24 shtator. Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, vdiq nga plagët e marra në sulm, konfirmuan autoritetet.

Autoritetet kosovare thanë se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar. Rreth 30 sulmues ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.

Të dielën, Vuçiqi e fajësoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke thënë “disa serbë të Kosovës” u rebeluan duke ngritur barrikada “duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Kurtit”.

Kryeministri i Kosovës Kurti, ndërkohë, tha se sulmi është mbështetur nga Serbia.

“Bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist, i cili e ka planifikuar dhe përgatitur gjatë këtë çfarë ka kryer sot dhe që nuk paraqet një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht e logjistikisht nga Beogradi zyrtar”, tha Kurti.

Ky incident rreth dy javë pasi Kurti dhe Vuçiqi dështuan të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian më 14 shtator në Bruksel.

Prishtina beson se duhet të jetë një njohje reciproke, ndërsa Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008, dhe ka mbështetjen e aleatëve Rusisë dhe Kinës kundër saj për këtë.rel

Nataša Kandić: “Le të përgjigjet Presidenti i Serbisë se kush i organizoi barrikadat dhe dhjetëra serbë, ku i morën armët dhe uniformat!”

Natasha Kandiç, veprimtare serbe e shquar e të drejtave të njeriut dhe themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, i është bashkuar situatës në veri të Kosovës me reagimet e saj në Twitter.

Ja disa thekse të Zonjës Kandiç:

Në këtë moment, nuk është normale që @avucic përsërit se Serbia nuk do ta njohë Kosovën dhe se serbët u rebeluan. Ai ende thotë se do të jetë më keq. Vuçiq duhet t’ju bëjë thirrje serbëve të dorëzojnë armët.”

Le të përgjigjet Presidenti i Serbisë se kush i organizoi barrikadat dhe dhjetëra serbë, ku i morën armët dhe uniformat!”

Vuçiçi: Kurti fajtor për çdo gjë në Kosovë – KFOR-i dha lejen për vrasjen e serbëve të rrethuar në manastir

VOA

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, fajësoi të dielën në mbrëmje kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për situatën në veri, ndërsa akuzoi forcat paqeruajtëse të NATO-s se i dhanë lejen policisë së Kosovës të vrasë grupin e serbëve që vrau një pjesëtar të policisë.

Në një konferencë me gazetarë të dielën në mbrëmje, zoti Vuçiç tha se serbë nga Kosova e jo nga Serbia “ngritën krye duke mos dashur të vuajnë më nën terrorin e Kurtit” dhe “ishte vetëm çështje kohe kur ata që ndiqeshin nga policia do të provonin të bëjnë diçka për veten dhe familjet e tyre”, tha ai.

“Nuk dua të arsyetoj vrasjen e policit. Është për t’u dënuar dhe nuk i duhet askujt, më së paku serbeve kur dihet se Kurti është shkaktari i kaosit në Kosovë”, tha Presidenti i Serbisë.

Ai tha se tre serbë u vranë, ndërsa shfaqi dyshimet edhe nje tjetër mund të ketë humbur jetën gjatë përleshjeve.

“Për një orë e 20 minuta ata ishin nën rrethim të plotë dhe mbi ta është kryer sulm brutal”, tha presidenti serb duke nënvizuar se “KFOR-i u dha dritën e gjelbër” forcave të policisë së Kosovës për vrasjen e tyre.

“Fajtori i vetëm është Albin Kurti” përsëriti disa herë presidenti serb, duke theksuar se “Dëshira e vetme e Kurtit është të na fus në luftë me NATO-n”.

Ai hodhi poshtë mundësinë që ushtria apo policia e Serbisë të jenë përfshirë në ngjarjet e së dielës.

Ai u bëri thirrje qytetarëve serbë “për qetësi dhe përmbajtje”, ndërsa komunitetit ndërkombëtar të “themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe që veri serbët të jenë në polici, sepse kjo është e vetmja mënyrë që serbët të mos dëbohen nga vatrat e tyre apo që të mos ketë konflikte”.

Serbia tha ai, është e gatshme për bisedime “por kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”.

Beogradi i mbështetur nga Moska kundërshton shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s që u dha fund mizorive të forcave serbe mbi shqiptarët gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Vuçiç akuza Perëndimit: Keni shkelur ligjin ndërkombëtar për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka akuzuar vendet e Perëndimit se kanë “shkelur brutalisht” Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 12 44, duke e njohur pavarësinë e Kosovës dhe duke “i mohuar të gjitha parimet që sot po i mbrojnë”.

Megjithatë, ai theksoi gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së se Serbia dhe të gjitha institucionet e saj po punojnë për ruajtjen e dialogut me Prishtinën nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian(BE).

“Kjo është detyra jonë. Dialogu është i mundur vetëm nëse ne të gjithë, duke përfshirë edhe ndërmjetësit evropianë, i përmbahemi fort asaj për të cilën është rënë dakord. Mosbalancimi, të cilit Serbia duhet të dorëzohet përgjithmonë, nuk çon në zgjidhjen e problemit”, tha Vuçiçi.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008.

 

“Këtu, në këtë sallë, vetëm dy ditë më parë, e dëgjuam presidentin e Shteteve të Bashkuara [Joe Biden], duke folur për parimin më të rëndësishëm në marrëdhënie mes vendeve, për respektin e integritetit të tyre territorial dhe sovranitetin… i vetmi telash në këtë ishte se vetëm pak orë pas fjalimit të tij, ai e takoi presidenten e të ashtuquajturës Kosovë, e cila cilësohet nga vendet më të fuqishme të Perëndimit si presidente e një vendi të pavarur, e dalë nga territori i Republikës së Serbisë”, u shpreh presidenti i Serbisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të enjten se presidenti i Biden ka dhënë garanci të fuqishme për mbështetjen e vazhdueshme amerikane për Kosovën.

Rezoluta 12 44 e Kombeve të Bashkuara, së cilës iu referua Vuçiçi, i dha fund luftës në Kosovë. Ndër të tjera, rezoluta parasheh mandatin e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, me qëllim të mbrojtjes së të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Policia serbe dhe ushtria jugosllave u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999 pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila u dha fund bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

Bombardimi u iniciua për shkak të krimeve të kryera nga forcat ushtarake dhe policore serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. Zyrtarë të lartë serbë u dënuan për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë para gjykatës ndërkombëtare në Hagë.

Në kontestimin e pavarësisë së Kosovës, Serbia ka mbështetjen e Rusisë dhe Kinës, anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me të drejtën e vetos.

Gjatë fjalimit, Vuçiçi e akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për rritje të dhunës me motive etnike kundër serbëve.

“Sot në Kosovë, provincën jugore të Serbisë, po ndodh dhunë e hapur ndaj serbëve nga autoritetet separatiste të Albin Kurtit… vetëm një ditë më vonë, një kontingjent i serbëve u dërguan në burgjet e Kurtit, të arrestuar në bazë të akuzave të fabrikuara në kuadër të fushatës së tij të territorit”, tha ai.

Vuçiçi duket se iu referua arrestimit të tre serbëve, të mërkurën, nën dyshimin për krime lufte të kryera gjatë luftës së vitit 1998-1999 në Kosovë./REL/


Send this to a friend