VOAL

VOAL

Gjuriqi injoron institucionet e Kosovës: sot jam në Pejë

Gjuriqi i sigurt se do të jetë në Pejë sot, megjithë ndalesën e institucioneve të Kosovës.

Drejtori i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriqi, ka paralajmëruar se do të jetë të shtunën në Pejë, edhe pse Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës refuzoi kërkesën e tij për vizitë.

Të mërkurën, Policia e Kosovës në Graçanicë e ka ndaluar automjetin në të cilin gjendej Gjuriq dhe kishte kërkuar nga ai që ta lëshonte Kosovën.  Kërkesa e policisë kishte nxitur një numër qytetarësh serbë që të mblidheshin në qendër të kësaj komune.

Të premten, një ditë pas incidentit,MPJ njoftoi se ka ndaluar Gjuriqin të vizitojë Kosovën, me arsyetimin se Gjuriq ishte përpjekur ta devijojë agjendën në Komunën e Gracanicës dhe se ka “penguar Policinë e Kosovës në kryerjen dhe zbatimin e detyrave të saj”.

Por, Gjuriq i ka thënë medieve serbe se të shtunën do të jetë në Patriarkanën e Pejës, duke shërfillur kështu vendimin e shtetit të Kosovës.

“Nesër do të jem në Patriarkanën e Pejës, por jo për shkak se ata janë përpjekur të ma ndalojnë por për shkak se unë jam përgjegjës për serbët në Kosovë”, ka thënë Gjuriq

OKB – Vuçiçi: 204 000 serbë duhet të rikthehen në Kosovë

Kryeministri i Serbisë, Aleksadar Vuçiçi, gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka deklaruar që shteti i tij refuzon të njoh pavarësinë e Kosovës, dhe është i vendosur në gjetjen e një zgjidhje politike përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ndër të tjera Vuçiq ka thënë që duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj Serbia jo vetëm që mbron ligjet ndërkombëtare, ofron siguri dhe paqe internacionale, ajo gjithashtu mbron edhe identitetin historik kombëtar. Ndërsa veprimet e njëanshme rrezikojnë paqen dhe rregullin ndërkombëtar, veçanërisht duke nxitur situatë të njëjtë tek shtetet që janë duke u përballur me shkëputje të tilla.

Për me tepër ai ka deklaruar që Kosova po përballet me problemin luftërave të huaja duke thënë që krahasuar me popullatën Kosova ka më së shumti ushtarë prezent në radhët e të ashtuquajturit Shteti Islamik dhe Levant.

Vuçiq gjithashtu kërkoi edhe rikthimin e personave të zhvendosur gjatë luftës duke theksuar që janë rreth 204,000 persona të zhvendosur nëpër Serbi, , njofton Klan Kosova.

Ndërsa dialogun në mes të Beogradit dhe Prishtinës cilësoi si të nevojshëm për të mbajtur stabilitetin në rajon dhe për të rregulluar marrëdhëniet në mes të këtyre dy shteteve.

Hercegovinë – në prag të zgjedhjeve lokale billborde me foton e Sheshelit

Zgjedhjet lokale në BeH do të mbahen më 2 tetor, ku për kryetarë bashkie, këshilltarë bashkie dhe këshilla komunale do të garojnë mbi 30 mijë kandidat, që është gati një përqind e numrit të popullsisë

GACKO/BILEÇA/ÇITLUK – Hercegovina lindore, posacërisht në pjesët rreth komunës dhe qendrës së Gackos dhe Bileçës, në prag të zgjedhjeve lokale në Bosnjë e Hercegovinë (BeH), të cilat do të mbahen të dielën, më 2 tetor, nga ajo që ka regjistruar ekipi i Anadolu Agency (AA) , është e mbuluar me posterë dhe billborde me fotot e kryetarit të Partisë Radikale Serbe (SRS) Vojislav Sheshel.

Në bilbordet e mëdha dhe posterët me fotografinë e kryetarit të SRS-së në hyrje të Bileçës shkruan: “Sërpska në duar të sigurta – SRS”. Në qendër të Bileçës nëpër rrugë është vendosur një billbord i madh me fotografinë e liderit të SRS, përndryshe deputit aktual të Parlamentit të Serbisë.

Gjithashtu edhe një pjesë e madhe e qendrës së Gackos është mbuluar me posterë të Sheshelit. Me këtë, qytetarëve të Gackos u thuhet se “Shesheli po vjen”.

Plagoset sulmuesi i ambasadës së Izraelit në Ankara

Izraeli thotë se një sulmues ka tentuar që të hyjnë në ambasadën e tij në Ankara por është plagosur nga një roje sigurimi.

Ministria e Jashtme izraelite ka thënë se sulmuesi kishte një thikë. Njoftohet se ai është qëlluar me armë zjarri dhe është kapur përpara se të arrinte në ndërtesën e ambasadës.

Më herët televizioni NTV ka raportuar se dy persona kanë tentuar që të hyjnë në ambasadën e Izraelit dhe njëri është “neutralizuar”. rel

Daçiçi: Beogradi do të mbrojë serbët e Bosnjës

Serbia ka paralajmëruar Bosnjë Hercegovinën se do të mbrojë serbët e Bosnjës nëse ata ndonjëherë do të sulmoheshin, përderisa tensionet janë ngritur para referendumit të planifikuar që të mbahet në Republika Sërpska, që zyrtarisht është ndaluar nga Sarajeva.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç ka thënë përmes një deklarate për media se Serbia “nuk do të lejojë shkatërrim apo sulm ushtarak” ndaj Republikës Sërpska në Bosnjë.

Komentet e Dacic vijnë pak kohë pasi komandanti i ushtrisë së Bosnjës në kohën e luftës, Sefer Haliloviç ka thënë se pa ndihmën e Beogradit, forcat e Republikës Sërpska nuk do të mund të qëndronin më shumë se 15 ditë ndaj forcave të Bosnjës.

Halilovic, i cili është i pensionuar, nuk mban asnjë pozitë zyrtare.

Dacic ka thënë se deklarata e Halilovic ishte “në lidhje me shkatërrimin e Republikës Sërpska e që paraqet kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Tensionet janë ngritur në Bosnjë Hercegovinë, përpara referendumit të caktuar më 25 shtator ku do të vendoset nëse Republika Sërpska do të festojë ditën e entitetit më 9 janar, ditën kur më 1992 deklaroi shkëputje nga Bosnja.

Gjykata Kushtetuese në Bosnjë ka thënë se kjo ditë feste është diskriminuese ndaj boshnjakëve dhe kroatëve të Bosnjës dhe ka thënë se referendumi është i jashtëligjshëm.

Qeveria malazeze mbron ndalimin e gazetarit Jovo Martinoviç

Qeveria e Malit të Zi po mbron vendimin e saj për të ndaluar një gazetar hulumtues nën akuzat për trafikim droge.

Në përgjigje të një letre nga tre grupe për të drejtat e njeriut dhe shtypit ku u kërkohej autoriteteve malazeze të lironin gazetarin Jovo Martinoviç, zyra e kryeministrit Milo Gjukanoviç tha se aktakuza dhe ndalimi i gazetarit nuk kanë të bëjnë me punën e tij profesionale, por janë rezultat i një hetimi kriminal.

Srdjan Kusovaç, këshilltar i kryministrit Gjukanoviç, thekson në përgjigjen e tij, se ndalimi i zotit Martinoviç ishte në përputhje me ligjin dhe ai do t’i nënshtrohet një procesi të drejtë gjyqësor.

Organizatat Human Rights Watch, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe Gazetarët pa Kufij thanë të hënën në letrën e tyre se ndalimi dhe ndjekja penale e zotit Martinoviç “shkel të drejtat e tij të lirisë, të drejtën e tij për një proces të rregullt gjyqësor dhe shpërfill detyrimet e Malit të Zi ndaj respektimit të lirisë së shtypit.”

Letra e përbashkët u bën thirrje autoriteteve që të marrin parasysh faktin se raportimi hulumtues i zotit Martinoviç ofron një shpjegim logjik të arsyes se pse ai ishte në kontakt me trafikantët e drogës.

“Martinoviç, një gazetar i respektuar, i cili hulumton krimin dhe korrupsionin, ka kaluar 11 muaj në burg pa parë asnjë provë reale kundër tij,” tha Hugh Williamson, drejtor i organizatës Human Rights Watch për Evropën dhe Azinë Qendrore. “Në qoftë se akuzat janë të besueshme, atëherë prokuroria duhet t’ia tregojë ato zotit Martinoviç dhe avokatit të tij në mënyrë që ata t’i shqyrtojnë provat”, shtoi zoti Willimason.

Autoritetet malazeze më 22 tetor të vitit 2015 ndaluan gazetarin Jovo Martinoviç nën dyshimet për pjesëmarrje në një rrjet të trafikimit të drogës. Tani ai është në pritje të përfundimit të një hetimi kundër tij dhe 17 të dyshuarve të tjerë.

Më 8 prill të këtij viti, pasi ai kishte qenë i burgosur për gati gjysmë viti, Zyra e Prokurorisë Speciale ngriti një aktakuzë kundër tij dhe 13 personave të tjerë.

Zoti Martinoviç ka hulumtuar krimin dhe korrupsionin për media të ndryshme ndërkombëtare, duke përfshirë revistën The Economist, gazetën Financial Times dhe agjencinë e lajmeve CAPA.

Mali i Zi, vend anëtar i NATO-s që po kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, është renditur në vendin e 106 nga 180 vende, në raportin e vitit 2016 mbi lirinë e shtypit në botë, të publikuar nga organizata Gazetarët pa Kufij. za

Në Kroaci nis gjyqi kundër “kapitenit Dragan”

Split, 20 shtator 2016.

Një ish-komandant paraushtarak serb ka dalë në gjyq në Kroaci, nën akuzat se ka kryer krime lufte gjatë konfliktit të viteve 1991-95.

Dragan Vasilkoviq, po ashtu i njohur si “kapiteni Dragan”, u deklarua i pafajshëm në fillim të gjykimit të tij në Split.

Ai akuzohet për torturim dhe vrasje të ushtarëve dhe policëve kroatë, të zënë robër në Knin më 1991 dhe në Bruska më 1993.

Akuzat bartin dënimin prej 20 vjetësh burgim.

Vasilkoviq është arrestuar në vitin 2006 në Australi, ku ka punuar si instructor golfi me emrin Daniel Snedden.

Ai është dërguar në Kroaci në korrik të vitit 2015, pasi ka humbur betejën 9-vjeçare kundër ekstradimit.

Gjenerali i NATO-s: Ballkanin e presin përplasje ushtarake

Kryesuesi i Këshillit Ushtarak të NATO-s, gjenerali Petr Pavel ka deklaruar se Ballkani vazhdon të mbetet burim i mundshëm i përplasjeve ushtarake. Ai porosit që aleanca veri-atlantike duhet të ketë patjetër aftësi për kundërvënie ndaj kundërshtarëve dhe mbrojtjes së anëtarëve të saj, si dhe rol më të madh në luftën kundër terrorizmit, bën të ditur agjencia kroate e lajmeve “HINA”.

Pavel citohet të ketë thënë se situata në një pjesë të Evropës është “larg stabilitetit”, duke theksuar se “Ballkanit i kanoset terrorizmi islamik, por edhe ndikimi rus”.

Duke e konsideruar Bosnjën dhe Hercegovinën si vendi ku mund të mblidhen terroristë, gjenerali Pavel ka deklaruar se nuk pret valë të shtuara të refugjatëve në drejtim të Evropës.

Ankaraja i kërkon zyrtarisht Uashingtonit arrestimin e Gylenit

Ministria turke e Drejtësisë i kërkoi formalisht SHBA-së një arrestim paraprak të klerikut islamik, Fethullah Gulen, të cilin qeveria e Ankarasë e konsideron si organizatorin e grushtit të shtetit të dështuar të 15 korrikut, njoftoi sot agjencia zyrtare e lajmeve Anadoll.

Turqia ka kërkuar edhe më parë ekstradimin e Gulenit dhe ka nxitur SHBA-në ta arrestojë atë.

Guleni jeton në SHBA që prej vitit 1999.

Uashingtoni deklaroi nga ana e tij se “kërkon të shohë prova konkrete që kleriku është i përfshirë në puçin e 15 korrikut”.

Katalanasit në rrugë kërkojnë shkëputjen nga Spanja

Rreth 800 000 katalanas u mblodhën në disa rajone verilindore duke kërkuar shkëputjen nga Spanja

MADRID – Rreth 800 000 katalanas u mblodhën në disa rajone verilindore duke kërkuar shkëputjen nga Spanja.

Qytetarët në rrugët e Barcelonës, Berga, Lleida dhe Tarragona dolën me pankarte dhe flamuj. Katalonja, krahinë autonome spanjolle në verilindje të Gadishullit Iberik, kërkon mbajtjen e referendumit më 9 nëntor, ndërsa Qeveria e Spanjës nuk e aprovon dhe nuk lejon mbajtjen e tij. aa

48 të plagosur në qytetin Van të Turqisë

Policia në Turqinë juglindore, tha se nga shpërthimi i një makine bombë në qytetin Van janë plagosur të paktën 48 vetë.

Shpërthimi ndodhi në një zonë midis zyrave të partisë në pushtet AKP dhe zyrës së guvernatorit.

Ende nuk dihet se kush është përgjegjës për bombën.

Shpërthimi vjen një ditë pasi qeveria shkarkoi 28 kryetarë komunash në juglindjen kryesisht kurde, për shkak të lidhjeve të dyshuara me Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha sot se zyrtarët duhet të ishin shkarkuar shumë kohë më parë.

Grabar -Kitaroviç: “Muajt dhe vitet para nesh, vendimtarë për të ardhmen e Kroacisë”

Në pyetjen nëse pret që qeveria e re kroate të jetë më stabile nga e deritanishmja, Grabar -Kitaroviç porositi: “Sot nuk do të flasim për këtë”

ZAGREB – Pres jehonë më të madhe të votuesve në zgjedhje sepse sot është dita kur ata vendosin, deklaroi presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç, pas votimit në zgjedhjet e parakohshme në Kroaci në njësinë zgjedhore 1, në qendrën e votimit 21 në Donji Grad.

Grabar-Kitaroviç gjatë votimit shoqërohej nga bashkëshorti i saj Jakov.

“Muajt dhe vitet që janë para nesh janë vendimtarë për të ardhmen e Kroacisë. Sot duhet patjetër të jemi serioz, nuk mundemi pastaj të ankohemi nëse epilogu i zgjedhjeve nuk është ai që kemi dëshiruar ne. Prandaj, dilni, jepni votën tuaj, ndërsa unë besoj se procesi i cili do të pasojë do të sjellë qeveri e cila do të kujdeset për ardhmërinë e Kroacisë”, tha Grabar-Kitaroviç. aa

HRW raport për keqtrajtimin e fëmijëve të emigrantëve në Greqi

“BE-ja dhe Greqia duhet të tregojmë më shumë përpjekje, të sigurojnë kujdesin për këto fëmijë të pambrojtur”

ATHINË – Organizata Human Rights Watch (HRW) ka theksuar se duke u mbajtur në paraburgim për një kohë të gjatë në kushte të papërshtatshme fëmijët e pashoqëruar të emigrantëve në Greqi po shkelen të drejtat ndërkombëtare dhe ligjet greke.

Në një raport të përgatitur nga organizata me temë “Përse më Mbani Mua Këtu?”: Fëmijët e pashoqëruar në Greqi po mbahen në paraburgim”, krahas intervistave të kryera me 42 fëmijë emigrantësh të pashoqëruar flitet edhe për vizitat në dy komisariate të policisë dhe ambiente paraburgimi.

Studiuesja Rebecca Riddell në një deklaratë ka theksuar se “Greqia shprehet se për të mbrojtur fëmijët është e detyruar ti mbajë në paraburgim ato. Por mbyllja e fëmijëve në qelitë e tejmbushura dhe jo higjienike është gjëja e fundit që ato mund të kenë nevojë.”

Duke tërhequr vëmendjen se shumica e fëmijëve në fjalë janë larguar prej dhunës në vendet e tyre Riddell ka theksuar se “BE-ja dhe Greqia duhet të tregojmë më shumë përpjekje, të sigurojnë kujdesin për këto fëmijë të pambrojtur që kanë nevojë dhe e meritojnë.”aa

Pentagoni: Pastrimi i DAESH-it nga kufiri i Turqisë, zhvillim strategjik

Kapiteni Jeff Davis në një konferencë për mediat në Pentagon ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në Siri

UASHINGTON – Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, Jeff Davis, ka deklaruar se pastrimi i organizatës terroriste nga kufiri i Turqisë është një zhvillim i rëndësishëm dhe strategjik.

Kapiteni Jeff Davis në një konferencë për mediat në Pentagon ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në Siri. aa

Serbia dënon një kroat për spiunazh

Një gjykatë në Serbi ka dënuar një kroat me tre vjet burgim, i cili ka pranuar fajësinë për spinuazh.

Por Kroacia ka mohuar se personi i dënuar, Cedo Colovic ka punuar për Zagrebin.

Colovic, 57-vjeçar, që ka pasaport serbe dhe kroate u arrestua javën e kaluar. Prokurorët serbë nuk kanë treguar se për cilin shtet ka spiunuar ai. Ata kanë thënë se ai ka jetuar në Kroaci deri në vitin 1990 dhe më pas është zhvendosur në Serbi.

Në ndërkohë, mediat serbe kanë raportuar se Colovic ishte oficer në forcat rebele serbe gjatë luftës për pavarësi të Kroacisë në vitet e 90-ta, i cili më pas përfundimit të konfliktit u zhvendos në Serbi.

Raportet e mediave thonë se Colovic kishte dhënë Kroacisë informacione të inteligjencës ushtarake, që më pas janë përdorur për të ngritur akuza për oficerët serbë.

Por, presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarovic ka dënuar se ky person ka punuar për shtetin kroat.

Gjukanoviçi: Demarkacioni është çështje e brendshme e Kosovës

Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviçi, ka deklaruar sot se Demarkacioni i kufirit ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës është “çështje e brendshme e Kosovës”.

“Problemi është i brendshëm dhe i përket politikës së brendshme të Kosovës”, tha Gjukanoviq në Ulqin, raporton agjencia Beta.

Ai mëtutje ka theksuar se Mali i Zi, sa i përket Marrëveshjes për demarkacion, i ka bërë të gjitha veprimet e duhura dhe nuk ka kurrfarë mospajtimi me autoritetet në Kosovë lidhur me vijën kufitare.

Javën e kaluar Qeveria e Kosovës e ka tërhequr nga debati në Kuvendin e Kosovës këtë marrëveshje, e cila kundërshtohet fuqishëm nga opozita në Kosovë.

Obama – Erdoganit: Puçistët do të dënohen

VOAL – HANGZHOU (KINË) 4 SHTATOR – Presidenti amerikan Barack Obama e ka siguruar presidentin turk Recep Tayyip Erdogan se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që autorët e grushshtetit të dështuar ndaj Ankarasë t’i dorëzohen drejtësisë.

 

Të dy presidentët kanë pasur, pak para fillimit të samitit të G20 në Hangxhou të Kinës, takimin e tyre të parë sy për sy pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi. ansa

Ja spiuni kroat i arrestuar në Beograd, rriten tensionet ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë

Çedo Çoloviçi, 57 vjeç, major në pension, është arrestuar për shkak të dyshimeve që në Serbi ka spiunuar për hesape të Kroacisë.

Prokuroria serbe ka njoftuar se personi që është arrestuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës/Sigurisë (BIA) dyshohet për spiunim dhe se bëhet fjalë për person që kë shtetësi edhe të Serbisë edhe të Kroacisë, transmeton lajmi.net.

Në njoftim thuhet se që nga viti 1990 i dyshuari ka jetuar dhe punuar në Kroaci, kurse më pas ka vendosur të jetoj në Serbi.

Mediat kroate raportojnë se i dyshuari ka tentuar të arratiset në Kroaci, kurse “Blic” mëson se ky nuk është rasti i vetëm i spiunimit në të mirë të Kroacisë në Serbi.

Ky arrestim sigurisht se do t’i rrise edhe më shumë tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë.

Raportohet se Kroacia së shpejti mund t’i hakmerret Serbisë duke i arrestuar agjentet e saj. /Lajmi.net/

Erdogani thotë se kufiri me Sirinë është pastruar nga militantët

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se ndërhyrja ushtarake në veri të Sirisë ka qenë e suksesshme, duke pastruar një sipërfaqe prej 400 kilometra katrorë nga militantët e Shtetit Islamik dhe milicia kurde e YPG-së.

Erdogan më 1 shtator ka theksuar se këto dy grupe paraqesin rrezik për Turqinë, edhe pse grupi i kurdëve është njëri prej aleatëve kryesor të SHBA-ve në në luftën kundër IS-it.

Presidenti turk tha se milicia e kurdëve të Sirisë, ka dështuar që t’i përmbahet marrëveshjes që të tërhiqet në lindje të lumit Eufrat.

Ai përsëriti qëndrimin e tij se kurdër e Sirisë janë “terroristë” dhe se janë të lidhur me militantët kurdë në Turqi,.

“Askush nuk pret nga ne që të lejojmë një korridor të terrorit në kufirin tonë jugor”, ka thënë Erdogan.

Ai ka shtuar se Turqia dëshiron të krijojmë “një zonë të sigurtë” në kufi me Sirinë por këtë ide nuk e ka mbështetur asnjë fuqi botërore.

Duke folur për çështjen e Erdoganit dhe kurdëve të Sirisë, Pentagoni është pajtuar me pretendimet se presidentit turk se është pastruar kufiri. Zëdhënësi i Pentagonit ka thënë se IS-i tashmë gjendet rreth 25 kilometra nga kufiri me Turqisë, afër qytetit sirian të Al-Rai.

Turqia akuzon Gjermaninë për “racizëm kulturor”

Ministri turk për çështjet e BE-së, Omer Celik.

Një ministër turk tha të mërkurën se komentet e komisionarit gjerman për Evropën, se Turqia mund të mos i bashkohet BE-së deri sa Reccep Tayyip Erdogan të jetë president, shprehin “racizëm kulturor”, ka njoftuar agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu.

Ministri turk për çështjet e BE-së, Omer Celik, iu përgjigj deklaratave të Kuenther Oettinger, të bëra të martën.

Lidhjet ndërmjet Turqisë dhe BE-së janë tendosur që prej puçit të dështuar muajin e kaluar, që shtyu Turqinë të ‘pastrojë’ institucionet shtetërore nga simpatizantët e dyshuar të puçit.

Vendet e BE-së kanë bërë thirrje për përmbajtje, pas kritikave nga Turqia që tha se kanë dështuar për të mirëpritur përgjigjen ndaj kërcënimeve që shfaqnin ata që qëndrojnë prapa puçit.

U përurua ura e re e Bosforit

Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan ka hapur sot urën e re nëpërmes Bosforit, një nga më të mëdhatë në botë, e treta që ndan dy kontinentet, Azinë dhe Evropën.

Ky mega projekt ka kushtuar 200 miliardë dollarë ndërsa Erdogani ka deklaruar se shpreson se ajo urë do të gjejë vend në histori.

Ura nëpërmes Bosforit është ndërtuar në stilin e urës së Bruklinit në New York dhe i ka shtyllat më të mëdha se Kulla e Ajfelit.

Ura është e gjatë 1.4 kilometra dhe e gjerë 59 metra, transmeton Reuters.

Stamboll, nesër përurohet ura e tretë më e gjatë mbi Bosfor

Nesër në praninë e presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdogan, me një ceremoni solemne do të bëhet hapja e urës së tretë mbi Bosfor.

Ura “Yavuz Sultan Selim” mban emrin e Sulltanit Osman nga shekulli i 16-të, i cili do të jetë lidhja e tretë mes kontinentit të Azisë dhe Evropës.

Është vlerësuar se “ura më e gjatë pezull”, që do të ketë një sistem hekurudhor, do të kursejë 1.75 miliard dollarë në vit për sa i përket kostos së energjisë dhe kursimit të kohës.

Gjithashtu, zyrtarët turq konsiderojnë se ura do të zgjidh problemin e ndotjes së ajrit të qytetit në Bosfor dhe tollovisë në trafik.

Qeveria ka parashikuar se urën në ditë do ta shfrytëzojnë 135.000 automjete. Tarifa për makinat të cilat do të kalojnë nga ana evropiane në atë aziatike, do të jetë 9.90 lira, ose 3.4 dollarë.

Më parë, presidenti turk iu referua atyre që nuk besonin se ura do të përfundojë në kohë.

“Kur vendosëm themelet e urës më 29 maj 2013, disa njerëz thanë: Kjo nuk do të realizohet. Atëherë ne u thamë: Ne do të lidhim pjesën evropiane me atë aziatike përmes urës “Yavuz Sultan Selim”, dhe ky do të jetë mesazhi ynë i madh për botën. Vetëm ata që mendojnë për qëllimet e mëdha, ata mund të realizojnë një projekt të tillë”, ka thënë Erdoğan.

Ura e gjatë 1.4 kilometra, me gjerësi prej 25 metra, do të ketë tetë korsi të trafikut dhe dy binarë.

Përndryshe, në ceremoninë e hapjes së urës në Stamboll do të marrin pjesë një numër i madh burrështetesh nga e gjithë bota.aa

Më shumë tanke turke hyjnë në Siri për të luftuar IS-in

Të paktën edhe nëntë tanke kanë hyrë sot në veri të Sirisë, si pjesë e një operacioni ushtarak për të larguar grupin militant Shteti Islamik nga qytetin Jarablus dhe për të parandaluar që luftëtarët e milicisë kurde të marrin nën kontroll territorin, i ka thënë një dëshmitar agjencisë Reuters.

Një zyrtar turk gjithashtu ka thënë se brenda territorit sirian, gjenden më shumë se 20 tanke turke dhe se tanke të tjera dhe makineri të ndërtimit do të dërgohen nëse është nevoja.

“Ne na duhen makineri të ndërtimit për të hapur rrugët… dhe do të na duhen edhe shumë të tjera në ditët në vazhdim. Ne gjithashtu na duhet më shumë personel të cilët mund të punojnë kur është e nevojshme”, ka thënë ky zyrtar.

Ky operacion ushtarak që po quhet “Mburoja e Eufratit” ka filluar të mërkurën, ku rebelët sirianë të mbështetur nga forcat speciale turke, tanket dhe avionët luftarakë kanë hyrë në Jarablus, njëri prej qyteteve të fundit të kontrolluara nga Shteti Islamik në kufirin e Turqisë me Sirinë. Ky operacion është mbështetur edhe nga koalicioni i sulmeve ajrore i udhëhequr nga SHBA-të.

Serbia dhe Shqipëria me Odë Ekonomike të përbashkët – Kosova nuk merr pjesë

Shqipëria dhe Serbia po përgatiten për mbajtjen e një forumi të përbashkët ekonomik, përmes të cilit do të promovohet krijimi i Odës ekonomike shqiptaro-serbe, me seli në Tiranë.

Në vazhdën e fuqizimit ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përmes avancimit të bashkëpunimit rajonal, gjatë ditëve të fundit kryetarët e Odave Ekonomike të Kosovës dhe Serbisë, kanë vizituar homologët përkatës në Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi, për të vazhduar javëve në vijim në Kroaci dhe Slloveni.

Liderët e vendeve të rajonit kanë përkrahur fuqishëm bashkëpunimin ekonomik rajonal, të udhëhequr nga Odat Ekonomike. Mbështetjen për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet odave do ta japin edhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë, Edi Rama e Aleksandar Vuçiç, të cilët do të takohen në Nish më 14 tetor.

Takimet, në nivel rajonal, do të mund të shënojnë edhe fillimin e përurimit të një projekti të përbashkët rrugor që do të lidh Serbinë me Shqipërinë përmes Kosovës. Burime zyrtare në Serbi kanë theksuar ditëve të fundit se në takimin e Nishit do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Kosovës.

Por, këta të fundit thonë se nuk kanë marrë asnjë ftesë për çfarëdo takimi që mund të zhvillohet në rajon.

Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Faton Abdullahu, i tha Radios Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës zyrtarisht nuk është në dijeni të një takimi të tillë.

“Qeveria e Kosovës nuk ka ftesë për këtë takim. E dimë që janë lansuar variante të ndryshme për pjesëmarrjen tonë atje, por ne nuk kemi ftesë dhe nuk do të jemi atje as në nivelin e përfaqësimit të shteteve që bëhen atje as në ndonjë nivel tjetër më të ulët”, ka thënë Avdullahu.

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në Kosovë, ndërkohë, u kanë bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të shtojnë interesimin dhe aktivitetet drejt rritjes së bashkëpunimit rajonal dhe kanë vlerësuar se ky bashkëpunim, përfshirë edhe me Serbinë – e cila nuk e ka njohur Kosovën – është “i paalternativë”.

Ata thonë të jenë të angazhuar në normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, megjithëse kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i tha Radios Evropa e Lirë se takimi që organizohet në Nish kërkon një koordinim institucional dhe dakordim të tyre për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kosovës, qoftë edhe në nivelin ekonomik.

“Oda Ekonomike vetëm ndihmon në normalizimin e raporteve në mes Serbisë dhe Kosovës… është një ndihmë e dialogut që udhëhiqet në Bruksel. Duhet të kuptohet që Kosova ka institucionet e veta, ka parlamentin, ka presidencën. Në këtë drejtim koordinohemi dhe nëse Qeveria e sheh të arsyeshme dhe rekomandon që të shkojmë atje, po shkojmë. Përndryshe, kjo nuk është fontanë dëshirash dhe unë nuk e kam komoditetin që sikryetar i OEK pa leje dhe pa qëndrim qeveritar të jem pjesë e çdo aktiviteti tjetër”, tha Gërxhaliu.

Projekti i Bashkimit Evropian për ndërtimin e autostradës që do të lidh Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë, është thënë se mund të jetë një nga mundësitë më të mira që duhet shfrytëzuar nga këto shtete dhe bizneset për të ndërtuar bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës dhe ekonomisë.

Gërxhaliu thotëse autostrada Durrës – Prishtinë – Nish është një mundësi e mirë që do t’u mundësonte shteteve të rajonit të jenë të rëndësishme në tregjet e treta, duke ofruar shërbime dhe prodhime të rajonit.

“Si Odë Ekonomike e Kosovës jemi të angazhuar në normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mendojmë që bashkëpunimi kufitar nuk ka alternativë dhe ajo që e veçon dhe i jep substancë bashkëpunimit është infrastruktura”.

“Ne kemi dhënë rekomandime që lidhja e autostradës Nish – Merdarë – Prishtinë është e një rëndësie strategjike është një projekt i cili nuk duhet të analizohet vetëm nga dimensionin politik , pasi që sa ka rëndësi politike ka edhe rëndësi strategjike dhe ekonomike”, tha ai.

Gërxhaliu tha se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë më shumë në eliminimin e barrierave tregtare në avancimin e dialogut, si dhe duhet të bëhet më shumë në krijimin e kompanive të përbashkëta.

“Në Ballkan nuk mund të flitet për procese ekonomike pa marrë konotacion politik. Jemi dëshmitarë që agjendat politike janë të stërngarkuara, mirëpo besoj që bashkëpunimi ndërkufitar, rajonal, forcimi i imazhit të rajonit do të jetë objektiv i të gjithëve”, tha Gërxhaliu. (REL)

Sulmuesi në Gaziantep, një fëmijë 12-14 vjeç

Gaziantep, Turqi

Sulmi vetëvrasës, i cili ka vrarë 51 veta në qytetin Gaziantep të Turqisë, është kryer nga një fëmijë i moshës 12 deri në 14 vjeç, tha presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Ai tha se fëmija ka qenë i lidhur me grupin militant Shteti Islamik (IS).

Erdogan po ashtu tha se 17 nga dhjetëra të plagosurit janë në gjendje të rëndë.

Ai i dha këto informacione gjatë një adresimi të drejtpërdrejtë televiziv nga Stambolli.

Sulmi ka ndodhur të shtunën mbrëma në një dasmë kurde në Gaziantep, qytet që ndodhet pranë kufirit me Sirinë.

Sulm terrorist i ISIS-it shkakton shumë viktima e të plagosur në Gaziantep të Turqisë

Turqi – foto arkivi

Një shpërthim në qytetin Gaziantep të Turqisë ka shkaktuar shumë viktima.

Burimet e sigurisë, që i citon agjencia Reuters, thonë se tetë veta janë vrarë dhe 60 janë plagosur.

Guvernatori i Gaziantepit, Ali Yerlikaya, i tha agjencisë turke të lajmeve Anadolu se “sulmi terrorist” ka ndodhur pranë një feste të dasmës, në qarkun Sahinbej.

Gaziantepi ndodhet rreth 64 kilometra larg kufirit me Sirinë. Një sulmues vetëvrasës ka vrarë dy policë atje në muajin maj.

Pjesa jugore e Turqisë është goditur nga disa shpërthime vdekjeprurëse gjatë vitit të kaluar, përgjegjësinë për të cilat e kanë marrë herë militantët kurdë, herë ata të të ashtuquajturit Shtet Islamik.

Sulmet shpesh janë lidhur me zhvillimet në luftën e Sirisë.

Autostrada magjike që pritet të bashkojë në Nish liderët e rajonit

Nisja e punimeve të autostradës që do të lidhë Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë, po shihet edhe si mundësi për realizimin e një takimi të përbashkët të Qeverisë së Serbisë, asaj të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës.

Kjo çështje fillimisht është ngritur gjatë vizitës se nënpresidentit amerikan, Joe Biden në Beograd, ku kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i ka thënë nënpresidentit se brenda një muaji, “do ta mirëpresë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama”, por edhe liderë të tjerë nga Kosova, pa saktësuar për kë bëhet fjalë.

Analistë në Beograd kanë thënë se ftesa për praninë e zyrtarëve nga Kosova krahas kryeministrit shqiptar, mund të bëhet me rastin e fillimit të punimeve në autostradën Nish-Tiranë, që kalon nëpër Kosovë.

Por, autoritetet zyrtare në Kosovë thonë se nuk kanë biseduar për një takim të mundshëm në këtë kohë, megjithëse kanë deklaruar se deri në periudhën e përfundimeve të punimeve të autostradës, Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovëdhe në një ceremoni të tillë, mund të jenë të bashkë.

Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se ky është një projekt rajonal në kuadër të bashkëpunimit në Ballkan.

“Deri tash nuk është diskutuar kjo çështje, por besoj se do të jemi bashkë. Shpresojmë që deri në atë kohë, për dy-tre vjet, do të kemi një njohje formale nga Serbia”.

“Natyrisht, unë nuk mund të paragjykoj se kush do të jetë pas meje ministër i Infrastrukturës dhe cila qeveri do të jetë. Por,bashkëpunimi rajonal është kyç, apo element bazë për integrimet evropiane. Kështu që, Qeveria e Kosovës dhe populli, në përgjithësi, duhet të jetë i zotuar apo i përkushtuar për bashkëpunimet dhe integrimet rajonale”, ka thënë Zharku.

Edhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë, kanë pohuar se për një projekt të tillë rajonal, duhet të takohen krerët e institucioneve të të tri shteteve.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se takime të zyrtarëve të lartë të institucioneve të Kosovës dhe Serbisë, vazhdimisht po ndodhin në Bruksel.

Kështu që, sipas tij, një takim trepalësh duhet të ndodhë në fillim të punimeve të autostradës, pasi konsiderohet projekt i rëndësishëm dhe i financuar nga Bashkimi Evropian.

Shahini ka deklaruar se nëse Aleancës (Kosovare të Biznesit) i bëhet një ftesë e tillë, do të marrë pjesë, por, siç ka thënë ai, “në pajtim me autoritetet shtetërore”.

“Kjo do t’i jepte një autoritet më të madh, por njëherësh do të jetë një mundësi e pajtimeve shumë shekullore ndërmjet këtyre komuniteteve, të cilat padrejtësisht kanë qenë në konflikte dhe në lufta të ndryshme”, është shprehur Shahini .

Ndryshe, ministri Zharku duke folur për përgatitjet rreth projektit, ka treguar se deri në muajin tetor të këtij viti, pritet të përfundojë studimi i fizibilitetit, dhe më pas, ministria do të marrë vendim për përcaktimin e trasesë, apo përcaktimin e kategorisë së rrugës e cila do të ndërtohet.

Autostrada në territorin e Kosovës, është vazhdimësi në Autostradën “Ibrahim Rugova”, që tashmë ka përfunduar deri në Besi, fshat ky që gjendet në magjistralen Prishtinë – Podujevë, kurse ekzistojnë edhe rreth 24 kilometra tjera deri në Merdarë.

“Sipas aktiviteteve që janë duke u ndërmarrë, shpresoj se në fund të vitit 2017 dhe në fillim të vitit 2018, do të nisë realizimi i projektit. Ky projekt do të duhej të financohej pjesërisht me grante nga Komisioni Evropian. Kurse, pjesa tjetër do të mbetet me financim nga ana e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Investive Evropiane, dhe do të jetë hua e butë, sikurse që i kemi edhe për projekte tjera”, ka shpjeguar Zharku.

Ndryshe, autostrada Durrës – Merdarë – Nish është projekt që përkrahet nga Bashkimi Evropian, si projekt i përbashkët i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore për Ballkanin Perëndimor.

Bashkimi Evropian, në mars të viti të kaluar, pas një konference ndërministrore të gjashtë vendeve Ballkanike, që është mbajtur në Prishtinë, ka premtuar se është i gatshëm të investojë deri në 1 miliard euro për projektet e përbashkëta të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore në Ballkanin Perëndimor.

Mali i Zi, çdo e dyta komunë me rritje negative të popullsisë

PODGORICË – Nga gjithsej 23 komuna, sa ka në Mal të Zi, në 11 komuna më shumë njerëz vdesin se sa lindin. Me rritje negative të popullsisë kryesojnë komunat në veri të vendit ndërsa situata më alarmante paraqitet në Plevlja.

Sociologët vlerësojnë se shkaqet e rënies demografike në veri të vendit janë papunësia, marrëdhëniet e këqija shoqërore-ekonomike si dhe shuarja e institucioneve arsimore.

Nga viti në vit veriu i Malit të Zi po zbrazet. Njerëzit lëvizin drejt Podgoricës në jug të vendit ndërsa nuk është i vogël numri i atyre që shkojnë në vendet e treta. Si rezultat i shpërnguljes gjithnjë e më masive është edhe rritja negative e popullsisë pothuajse në gjysmat e komunave në Mal të Zi, kryesisht në veri të shtetit.

– Veriu po zbrazet, njerëzit vendosen në Podgoricë –

Në pesë muajt e parë të vitit 2016, 11 komuna kanë patur rritje negative të popullsisë dhe shumica janë nga veriu. Kryeson Plevlja, ku viteve të fundit më shumë njerëz vdesin se sa lindin. Në pesë muajt e parë në Plevlja kanë lindur 79 foshnja ndërsa në periudhën e njëjtë kanë vdekur 190 persona, që paraqet minus 111 lindshmëri.

Pas kësaj komune, trendi më i madh negativ është regjistruar në Nikshiq – minus 70, Herceg Novi – 34, Cetinje -28, Kolashin -25, Zhabljak -19, Pluzhina -18, Mojkovc -16, Danilovgrad -15, Shavnik -14, Bijelo Polje -12. aa

Turqia e miraton marrëveshjen për pajtim me Izraelin

Parlamenti i Turqisë ka miratuar marrëveshjen për pajtim me Izraelin, duke i hapur rrugë rikthimit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Ratfikimi i marrëveshjes është pritur qysh muajin e kaluar, por është shtyrë për shkak të përpjekjes për grushtshtet në Turqi më 15 korrik.

Kabineti i Izraelit tashmë e ka miratuar marrëveshjen.

Marrëdhëniet midis dy vendeve ishin përkeqësuar gjashtë vjet më parë, pasi marina izraelite ka vrarë dhjetë turq në bordin e një anijeje ndihmash, e cila ka bërë përpjekje të thyejë bllokadën izraelite dhe të arrijë Rripin e Gazës.

Izraeli tani ka 25 ditë pune kohë që të paguajë 20 milionë dollarë kompensim për viktimat.

Turqia është pajtuar që asnjë individ izraelit të mos mbahet penalisht apo financiarisht përgjegjës për vrasjet.

Marrëveshja po ashtu lehtëson bllokadën detare të Rripit të Gazës, duke i lejuar Turqisë që të dërgojë ndihma humanitare për palestinezët përmes portit Ashdod të Izraelit.

Qeveria shqiptare dhe serbe takohen në Nish me pjesëmarrjen e Kosovës

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiçi (majtas) dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një takimi të mëhershëm në Vjenë, gusht 2015

Një takim i përbashkët i qeverisë së Serbisë dhe asaj të Shqipërisë, në praninë e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Kosovës, pritet të mbahet brenda një muaji në Nish, mëson Radio Evropa e Lirë nga burime të afërta me Qeverinë në Beograd.

Hollësitë e takimit nuk janë saktësuar, por mendohet se në këtë takim nuk do të marrin pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ose kryeministri Isa Mustafa, por një nivel më i ulët politik. Delegacionin e Shqipërisë do ta udhëheqë kryeministri Edi Rama.

Takimin në Nish, që ende është në fazën e planifikimit, e inicioi Beogradi dhe koncepti i tij është që të mos jetë dialog ndërmjet shtetit shqiptar dhe atij serb, por dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon. Për këtë arsye edhe do të ftohen përfaqësues politik të shqiptarëve nga Kosova.

Në takim, siç i është thënë Radios Evropa e Lirë, në mënyrë jozyrtare nga burime të afërta me Qeverinë e Serbisë, pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues serbë e shqiptarë nga rajoni, por lista përfundimtare ende nuk është përcaktuar.

Ajo që ka qenë e paparamendueshme të ndodh pak muaj më parë duket se mund të realizohet së shpejti.

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, i tha nënpresidentit amerikan Joe Biden, gjatë vizitës së këtij të fundit në rajon, në një periudhë të ngecjeve të përparimit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, se brenda një muaji “do ta mirëpres kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama”, por edhe liderë të tjerë nga Kosova, pa saktësuar për kë bëhet fjalë…

“…Do të mirëpresim edhe disa nga përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës dhe Metohisë, do të mirëpresim shumë njerëz në forumet e biznesit, në takime”, tha Vuçiq.

Analistë në Beograd, ndërkaq, thonë se ftesa për praninë e zyrtarëve nga Kosova krahas kryeministrit shqiptar mund të bëhet me rastin e fillimit të punimeve në autostradën Nish-Tiranë, që kalon nëpër Kosovë.

Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie etnike në Beograd, i tha Radios Evropa e Lirë se në këtë ceremoni mund të marrë pjesë ose kryeministri ose presidenti i Kosovës…

“Me sa jam i njoftuar, përveç Edi Ramës, në bisedat politike me këtë rast, do të vijë edhe Isa Mustafa (kryeministri i Kosovës) ose Hashim Thaçi (Presidenti i Kosovës). Ky është fakti se autostrada po financohet në kuadër të procesit të Berlinit “Ballkan gjashtë”, anëtar i së cilës me të drejta të plota është edhe Kosova”, thotë Dushan Janjiq për Radion Evropa e Lirë.

Takimet ndërmjet liderëve të rajonit, posaçërisht atyre nga Kosova dhe Serbia, gjithnjë kanë ngritur tensione dhe mosbesime të thella, sado që në forume të ndryshme ndërkombëtare, takimet ndërmjet tyre kanë qenë të shpeshta.

Analisti i çështjeve politike Halil Matoshi thotë për Radion Evropa e Lirë se shkuarja e presidentit të Kosovës në një takim në Beograd me zyrtarë të lartë të këtij shteti nuk do ta paraqiste ndonjë problem, derisa Serbia nuk e njeh Kosovën dhe atë e trajton si provincë serbe.

“Në preambulën e Kushtetutës së Serbisë, Kosova është krahinë serbe pjesë përbërëse e Serbisë dhe zotin Thaçi në Beograd do ta konsiderojnë si një lider lokal të të ashtuquajturës provincë serbe të Kosovës. Takimi mund të realizohet, por nuk pres që do të ndryshojë politika serbe ndaj shqiptarëve dhe në veçanti ndaj Republikës së Kosovës”, thotë Matoshi.

Deklarimet për mundësinë e udhëtimit të udhëheqësve nga Kosova në Serbi dhe pjesëmarrjes në çfarëdo ngjarje erdhën në kohën kur Prishtina dhe Beogradi për shkak të problemeve të brendshme shënuan ngecje në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Posaçërisht mundësia për takime në Serbi erdhi kur Joe Biden, nënpresidenti amerikan, në vizitën e tij dyditëshe në rajon kërkoi nga të dyja palët më shumë angazhim në rrugën e përbashkët evropiane dhe më shumë përparim në marrëdhëniet ndërmjet tyre.

Behlul Beqaj, analist i pavarur, tha për Radion Evropa e Lirë se një takim i mundshëm i krerëve të Beogradit dhe Prishtinës do të jetë i vështirë, por jo i parealizueshëm, kur kihet parasysh presioni që mund të bëhet në Beograd dhe në Prishtinë për këto takime.

“Paraprakisht janë deklaruar se shkaku kryesor i vizitës së Biden ka qenë Beogradi, ndërkaq vizita në Kosovë ka qenë vetëm një shkas. Me vet këtë fakt, ndikimi i tij për proceset e reja në Beograd do të ketë një rezultat dhe mund të jetë pikërisht kjo që të takohen krerët e shteteve të Beogradit dhe Prishtinës, me qëllim të zgjidhjes së disa çështjeve serioze që janë të hapura tani e një kohë të gjatë”, thekson Beqaj.

Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë të zyrës së kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafës dhe presidentit Hashim Thaçi nuk kanë dashur të falsin për një çështje të tillë.

Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi është i dënuar për krime lufte nga një gjykatë në Prishtinë, në kohën e dominimit të Sllobodan Milosheviqit dhe vitin e kaluar kur u përfol se do të merrte pjesë në një tubim të një organizate joqeveritare në Serbi, nga niveli më i lartë iu dërgua porosia se dënimi nuk i është hequr dhe nëse vjen, do të arrestohet.

Normalizimi i marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë konsideruar si një parakusht për Serbinë dhe Kosovën në rrugën e tyre evropiane dhe takimet e liderëve të të dyja vendeve, pavarësisht vështirësive në të kaluarën, nuk kanë bërë bujë të madhe në kohët e fundit.

Takimi në nivelin më të lartë ndërmjet të dyja shteteve, ishte ai i shkurtit të vitit 2013 ndërmjet presidentes Atifete Jahjaga dhe presidentit Tomisllav Nikoliq, dhe kjo shënoi edhe fundin e periudhës së akullt të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Të dyja palët nisën dialogu për normalizim të marrëdhënieve që prej vitit 2011, fillimisht në nivel teknik, me lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe arritën që brenda vitesh të nënshkruajnë një varg marrëveshjesh, në mesin e të cilave marrëveshjen kornizë të Prillit 2013, që i hapi kandidaturën Serbisë për në BE dhe Kosovës i mundësoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Megjithëse e kanë pranuar se pengesa kryesore në rrugën për anëtarësim në BE është Kosova dhe pranimi i pavarësisë së saj, udhëheqësit serbë nuk kanë pranuar që ta heqin nga Kushtetuta e Serbisë përcaktimin e Kosovës si pjesë të saj, dhe shumë herë kanë refuzuar pjesëmarrjen në takime ku kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit shqiptarë. (REL)

Pas ndeshjes së dy anijeve – mbyllet Ngushtica e Bosforit

Pamje nga Ngushtica e Bosforit

Kalimi ujor nëpër Ngushticën e Bosforit në Turqi është pezulluar, pasi një anije transportuese është ndeshur me një anije të rojës bregdetare.

Autoritetet në Stamboll thanë se gjashtë vetë janë shpëtuar në incidentin që ndodhi sot.

Nuk ka pasur informacione se për sa kohë ky kalim ujor me rëndësi strategjike do të jetë i mbyllur.

Afro 3% e furnizimeve globale me naftë kalon nëpër këtë ngushticë për çdo vit.

Po ashtu, Ngushtica e Bosforit është shtegu kryesor ujor për transporte të drithërave ndërmjet Detit të Zi dhe Mesdheut.

Vuçiçi–Bidenit: Së shpejti mirëpresim përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës

Nënpresidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiçi.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiçi ka deklaruar se temat kryesore të bisedimeve me nënpresidentin amerikan Joe Biden kanë qenë marrëdhëniet bilaterale, dialogu Beograd-Prishtinë, marrëdhëniet rajonale dhe rruga evropiane e Serbisë.

“E njoftova nënpresidentin Biden se brenda një muaji ne do ta mirëpresim këtu kryeministrin Edi Rama, se do të mirëpresim edhe disa nga përfaqësuesit e shqiptarëev të Kosovës dhe Metohisë, se do të mirëpresim shumë njerëz në forumet e biznesit, në takime, Sepse duam që të zhvillojmë vendin tonë, të sigurojmë rritje të ekonomisë sonë, natyrisht duke ruajtur interesat tona kombëtare e shtetërore”, tha Vuçiq.

Analistë në Beograd, në mesin e të cilëve Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike, mendojnë se përveç Edi Ramës, me rastin e fillimit të punimeve në autostradën Nish-Tiranë, në Beograd mund të vijnë edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe presidenti Hashim Thaçi

Biden në Beograd: Vizitë e shkurtër, por kemi arritur mjaft

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka vizituar të martën Beogradin, në vizitën e dytë zyrtare të tij në Serbi, ku është takuar me autoritetet e larta serbe.

Në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd, nënpresidentin amerikan e ka pritur kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas takimit të dy delegacioneve, atij amerikan dhe atij serb, Biden është takuar në katër sy me Vuçiqin.

“Vizita është e shkurtër, por kemi arritur mjaft”, ka thënë Biden.

“Zoti kryeministër, ju keni kaluar rrugë të gjatë për ta bërë vendin tuaj fitimtar në shumë fusha. (Presidenti) Obama dhe unë e respektojmë udhëheqjen që ju keni treguar në shumë momente, e veçanërisht në marrëdhëniet me Kroacinë”, ka thënë Biden.

Ai ka potencuar se Serbia është guri themelor për rajonin dhe se nga kjo do të varet se si do të përparojë rajoni. Siç ka theksuar nënpresidenti Biden, “ka mjaft gjëra nga historia, të cilat duhet të tejkalohen.

“Këtë çështje do ta hap nesër edhe në Kosovë. Do të nevojitet shumë punë dhe vullnet politik, por shpresoj se do të vazhdoni ta avanconi këtë situatë. Të dyja palët i janë drejtuar përparimit dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë Biden.

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë në rrugë të rritjes. Sipas tij, në takim me zotin Biden, temat kryesore kanë qenë marrëdhëniet bilaterale, dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, marrëdheniet rajonale dhe rruga evropiane e Serbisë.

Vuçiq ka theksuar se do të bëjë gjithçka që të ofrojë siguri për investuesit, përfshirë edhe ata amerikanë. Ai ka thënë se e ka njoftuar nënpresidentitn Biden se pas një muaji do të jetë nikoqir i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, si dhe i përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës.

Kryeministri serb ka thënë se në takim është biseduar edhe për ato që kanë ndodhur në 30 vjetët e fundit, në marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

“Në këto marrëdhënie ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, shumë njerëz kanë bërë një sërë gabimesh. Për ne, si popull dhe për ne si Qeveri e Republikës së Serbisë, por edhe për mua personalisht, kurrë nuk ka paraqitur dhe as sot nuk paraqet problem që ta marrim atë lloj përgjegjësie për gabimet që i kanë bërë bashkëkombasit tanë”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka ka thënë se beson që një gjë të tillë duhet ta bëjnë edhe të tjerët, sepse, siç është shprehur, kanë pësuar mjaft serbë dhe shqiptarë dhe një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë kurrë më në të ardhmen.

Nënpresidenti amerikan është takuar edhe me kryetarin e Serbisë, Tomisllav Nikolliq.

Në anën tjetër, Partia Radikale Serbe e Vojisllav Sheshelit ka mbajtur një protestë për të kundërshtuar vizitën e nënpresidentit Biden në Serbi.

Nënpresidenti Biden, i cili në administratën amerikane në largim është i angazhuar për Ballkanin, ka vizituar Beogradin pak kohë pas formimit të Qeverisë së re të Serbisë.

Më herët, në korrik, Serbinë e ka vizituar edhe zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Noland.

Pas Beogradit, Biden do të udhëtojë në Prishtinë, ku do të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe me kryeministrin Isa Mustafa. rel

Turqi: Prokurorët duan 1900 vjet burg për Gylenin

Kleriku turk që jeton në SHBA, Fethullah Gulen

Prokurorët turq e kanë dorëzuar dosjen e aktakuzës me mbi 2500 faqe kundër klerikut Fetullah Gylen për dyshimin e përfshirjes së tij në grusht shtetin e dështuar të 15 korrikut.

Në këtë grusht shtet janë vrarë 240 njerëz.

Aktakuza e dorëzuar sot bën thirrje që Gylenit krahas dy dënimeve të përjetshme t’i jepet edhe një dënim prej 1900 vjetësh burg për “përpjekjet që të shkatërrojë rendin kushtetues me forcë” dhe të “formojë dhe udhëheqë një grup të armatosur terrorist”.

Kleriku në fjalë që jeton në SHBA, ka hedhur poshtë akuzat se është i përfshirë në puçin e dështuar.

Po sot, policia turke ka bastisur 44 kompani turke pasi janë dhënë urdhërat e paraburgimit ndaj 120 udhëheqësve të bizneseve.

Qeveria gjithashtu ka arrestuar gazetarin Arda Akin, që punon për gazetën “Hurryiet”. Federata Evropiane e Gazetarëve thotë se 68 gazetarë janë paraburgosur në Turqi prej grusht shtetit të 15 korrikut.

Në përgjithësi, mbi 35 mijë njerëz janë paraburgosur përfshirë këtu edhe 17 mijë persona që zyrtarisht janë të arrestuar. Dhjetëra mijëra të tjerë janë pezulluar nga vendet e punës.

Zbulim i madh në Mal të Zi: Gjenden pallatet ku kanë jetuar mbreti Bardhyl dhe Teuta

Ilirët ishin grupe të lashta të fiseve indo-evropiane, që jetuan në pjesë të Ballkanit Perëndimor dhe brigjet e gadishullit italian rreth viteve 260 para erës së re.Deri tani dihet shumë pak për udhëheqësit e tyre, por kërkuesit thonë se tashmë kanë fakte për pallatin e parë të mbretërve të Ilirëve.

Arkeologët kanë zbuluar dy pallate në Malin e Zi, që përshkruhen si zbulim “i madh dhe i rëndësishëm”.

Lajmi është botuar në revistën e botimeve shkencore në Poloni.

zbulim2

Kërkuesit vijnë nga Qendra Kërkimore e Evropës Juglindore për Antikitetin e Universitetit të Varshavës, që po studion zonën ku u bë zbulimi prej vitit 2000.

Arkeologët zbuluan mbetjet e dy ndërtesave monumentale, që mendohet se janë ndërtuar para vitit 260 të erës së re.

zbulim3

“Këto janë strukturat e parë të këtij lloji në zonën e Ilirisë, që mund t’i takojnë mbretit Bardhyl dhe Teuta”, thotë profesori Piotr Dyczek. “Deri tani as nuk e dinim se ekzistonin struktura të tilla”.

Bardhyli ishte mbreti Ilir i Ardianëve dhe ky është zbulimi i parë që tregon vendin se ku ai ka jetuar. Pas vdekjes së tij, besohet se pushtetin e mori mbretëresha Teuta që mori drejtimin e Perandorisë Ilire.

zbulim4

Vendndodhja e ndërtesës dhe teknika e përdorur në ndërtim janë unike, krahasuar me shembuj të tjerë të arkitekturës Ilire.

Sipas profesorë Dyczka, ndërtesa është djegur gjatë një sulmi të dhunshëm dhe një pallat tjetër u ndërtua më atë.

zbulim5

Në Turqi rritet numri i turistëve nga Shqipëria, Rumania, Ukraina dhe Izraeli

Rritje për muajin korrik ka shënuar numri i turistëve të ardhur nga Izraeli, Azerbajxhani, Shqipëria dhe Rumania

KIEV – Interesi i turistëve nga Shqipëria, Ukraina, Izraeli, Azerbajxhani dhe Rumania ndaj Turqisë, ka vazhduar të rritet pavarsisht tentativës për puç më 15 korrik nga Organizata Terroriste Fetullahçı (FETÖ).

Numri i turistëve të ardhur drejt Turqisë nga shumë vende pas tentativës për puç të përjetuar në muajin korrik ka shënuar ulje në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më parë, ndërsa tek turistët e Ukrainës ka shënuar rritje.

Sipas informacioneve që gazetari i AA-së ka përpiluar, mësohet se numri i turistëve të ardhur në Antalya nga Ukraina në muajin korrik ka qenë 120.382 duke shënuar një rritje me 101 për qind. Kjo shifër në krahasim me korrikun e vitit të kaluar ishte në nivelin e 59.867 turistë.

Rritje për muajin korrik ka shënuar edhe numri i turistëve të ardhur nga Izraeli, Azerbajxhani, Shqipëria dhe Rumania. Numri i turistëve të ardhur nga Izraeli ka patur një rritje me 86 për qind, numri i turistëve nga Azerbajxhani 40 për qind, numri i turistëve nga Shqipëria 24 për qind dhe numri i turistëve nga Rumania 2 për qind.

Ndërsa mësohet se numri i turistëve të ardhur nga vendet e tjera në Antalya ka shënuar rënie.

Ndër të tjera bëhet e ditur se numri i turistëve ukrainas të cilët kanë vizituar qytetin Muğla nga 10.882 për periudhën e vitit të kaluar është rritur në 24.680 duke shënuar një rritje me 126 për qind.

Gjithashtu rritje është shënuar edhe në numrin e turistëve ukrainas të ardhur në Antalya për 7 muajt e parë të vitit, të cilët me një rritje prej 88 për qind kanë arritur në 316.644 turistë nga 168.378 që ka qenë vitin e kaluar.

Zyrtarët e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit kanë theksuar se numri i turistëve të ardhur vitin e kaluar nga Ukraina ka qenë rreth 700 mijë dhe se deri në fund të viti 2016 pritet që numri i turistëve ukrainas të arrijë në 1 milion. aa

Joe Biden e viziton Turqinë në periudhën e tensioneve

Turqia thotë se zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, do ta vizitojë Turqinë më 24 gusht, në periudhën e tensioneve ndërmjet Ankarasë e fuqive perëndimore, lidhur me goditjen masive në Turqi, kundër atyre që mendojnë ndryshe pas puçit të dështuar muajin e kaluar.

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, për këtë vizitë i ka informuar gazetarët sot në Stamboll.

Ai tha, po ashtu, se qëndrimi i Uashingtonit ndaj kërkesës për ekstradimin e klerikut, Fethullah Gulen, me seli në Shtetet e Bashkuara, i cili nga Ankaraja fajësohet për orkestrim të përpjekjes së puçit, është përmirësuar. Megjithatë ai nuk ka dhënë detaje të tjera.

Ankaraja e konsideron lëvizjen e zotit Gulen si organizatë terroriste dhe dëshiron kthimin e tij në Turqi për tu ballafaquar me proces gjyqësor.

Por, Uashingtoni ka thënë se paraprakisht duhet të ketë dëshmi për involvim të klerikut.

Zoti Gulen e ka hedhur poshtë çfarëdo roli në grushtshtetin e dështuar ushtarak.

Zoti Yildirim, mëtutje, tha se 81,494 vetë, përfshirë gjyqtarë, ushtarë dhe shërbyes civilë, janë suspenduar ose shkarkuar prej 15 korrikut, kur ishte kryer një përpjekje e puçit të dështuar.

Gjatë këtij puçi janë vrarë më se 270 vetë.

Presidenti i Tuqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shprehur përkushtim për ta çrrënjosur lëvizjen e Gulenit në Turqi, pasi ajo ka prani të gjërë në forcat e sigurisë, gjyqësi dhe shërbim civil.

Megjithatë, gjërësia e goditjes së autoriteteve është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe organizatat për të drejtat e njeriut, për shkak të shqetësimeve se Erdogan po e përdorë këtë ndjekje për ta forcuar qëndrimin e tij në pushtet. rel

Turqi, arrestohet babai i ish-futbollistit të kombëtares turke Shukur

Prokuroria në Sakarya dje shpalli fletarrest për ish-futbollistin e Galatasaray-it dhe babain e tij

SAKARYA– Babai i ish-futbollistit të kombëtares turke Hakan Shukur, Selmet Shukur, në kuadër të hetimit lidhur me tentativën për grusht shteti në Turqi, është arrestuar në Sakarya, në Turqinë veriperëndimore.

Prokuroria në Sakarya dje shpalli fletarrest për ish-futbollistin e Galatasaray-it dhe babain e tij. Selmet Sukur është arrestuar në Adanpazar. Gjykata në Sakarya më herët mori vendim për konfiskimin e plotë të pasurisë së ish-lojtarit turk të klubit futbollistik Galatasaray Hakan Sukur dhe babit të tij Selmet Sukur.

Prokuroria në Sakarya ka ardhur deri te dëshmitë se reprezentuesi i dikurshëm i Turqisë dhe babai i tij kanë ofruar mbështetje financiare për kultin e dhunshëm terrorist FETO.

Për këtë shkak gjykata mori vendim për konfiskimin e pronës, llogaritë bankare, dokumente të vlefshme, aksione, dhe prona të tjera të babait dhe djalit Sukur. aa

Serbia me qeveri të re, ja si e ka futur Vuçiçi Kosovën në betim

Kuvendi i Serbisë ka votuar për Qeverinë e re të Serbisë. Për propozimin e mandatarit, Aleksandër Vuçiçi votuan 163 deputetë, kundër ishin 62, abstenime nuk pati.

Pas votimit do të pasojë betimi para Kuvendit të Serbisë, ku Aleksadar Vuçiqi do ta udhëheqë qeverinë e shtetit fqinj edhe për një mandat, në koalicion me Ivica Daçiqin e SPS-it, transmeton lajmi.net.

Por çfarë shkruan në betimin që duhet ta bëjë qeveria serbe. Sigurisht se edhe në betim është futur Kosova, absurditet i llojit të vet që vetëm serbët e bëjnë.

“Betohem për besnikëri ndaj Republikës së Serbisë dhe zotohem se me nder do ta respektojë Kushtetutën dhe ligjin, që detyrën e anëtarit të Qeverisë do ta kryej me përgjegjësi, ndërgjegje dhe do të jem i përkushtuar për ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë brenda Republikës së Serbisë”, kështu thuhet në betimin shovinist serb.

Gjykata boshnjake refuzon bllokimin e referendumit lidhur me ditën e Republika Srpskas

Ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese të Republika Srpska-s, 11 gusht 2016

Gjykata Kushtetuese në rajonin autonom serb të Bosnjë dhe Hercegovinës ka refuzuar një përpjekje nga boshnjakët për të bllokuar një referendum të planifikuar, nëse duan të vazhdojnë ta festojnë ditën e shtetësisë së entitetit, më 9 janar.

Gjykata mori sot vendim që “interes thelbësor kombëtar” i boshnjakëve që jetojnë në këtë entitet nuk do të ishte rrezikimi nga vendimi për të mbajtur një referendum, të planifikuar për datën 25 shtator.

Në nëntor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës shpalli si antikushtetuese Ditën e Republika Srpska-s, duke thënë se ajo është diskriminuese ndaj banorëve jo-serbë në këtë entitet.

Gjykata urdhëroi entitetin e drejtuar nga serbët që ta vendos një datë që do të ishte e pranueshme edhe për myslimanët dhe kroatët.

Më 9 janar 1992, serbët e Bosnjës shpallën “Republikën e Popullit serb”, në kohën kur Bosnja ishte ende pjesë e Jugosllavisë.


Send this to a friend