“Për Ministrinë e Jashtme të Kosovës deklaratat e Daçiç janë të papranueshme dhe si të tilla të paqëndrueshme. Ato janë nxitëse dhe tendencioze, të cilat i kontribuojnë destabilizimit dhe prishjes së procesit të normalizimit të marrëdhënieve”
PRISHTINË – Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dënon ashpër deklaratat që ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka bërë në lidhje me “gjoja sulme të diasporës shqiptare në botë ndaj misioneve diplomatike të Serbisë”.
Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç sot është shprehur se sipas informacioneve të institucioneve të sigurisë së Serbisë, diaspora shqiptare po planifikon marrjen me dhunë të ndonjë prej misioneve diplomatike dhe konsullore të Serbisë në SHBA apo në Evropë. Sipas tij qëllimi i këtij veprimi është që Serbia të heqë dorë për gjykimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai po ashtu është shprehur se kjo tregon se politikanët shqiptarë janë të gatshëm “të bëjnë madje edhe terrorizëm”.
Ndërkaq, ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, duke konsideruar se këto deklarata janë nxitëse, tendencioze dhe që kanë për qëllim ta mbajnë në tension rajonin. Sipas MPJ-së, kjo është gjuhë e viteve 90-të dhe e frikës kur Serbia i orkestronte vetë sulmet që ua atribuonte të tjerëve.
“Për Ministrinë e Jashtme të Kosovës deklaratat e Daçiç janë të papranueshme dhe si të tilla të paqëndrueshme. Ato janë nxitëse dhe tendencioze, të cilat i kontribuojnë destabilizimit dhe prishjes së procesit të normalizimit të marrëdhënieve. Në këto rrethana, akte të tilla të dhunës mund të orkestrohen nga vetë shteti serb, në mënyrë që t’i atribuohen pastaj diasporës shqiptare”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.
Ndryshe, ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-udhëheqës i UÇK-së, Ramush Haradinaj, i cili aktualisht është kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, javën e kaluar, ditën e enjte, u ndalua nga autoritetet franceze në aeroportin e Bazelit bazuar në një urdhër arresti të Serbisë të lëshuar në vitin 2004. Ai në vitin 2015 ishte arrestuar edhe në Slloveni dhe më pas është liruar.aa