VOAL

VOAL

Vuçiçi do të garojë për postin e presidentit të Serbisë

Kryesia e Partisë Përparimtare Serbe njoftoi se kandidat i kësaj partie për president të Serbisë do të jetë Aleksandër Vuçiçi, aktualisht kryeministër.

Lajmin e konfirmoi për gazetarët në Beograd zëvendëskryeministri serb, Nebojsha Stefanoviq.

“Vuçiq, në mënyrë unanime”, tha ai.

Zgjedhjet për president të Serbisë pritet të mbahen në pranverë.

Podgoricë: Hiqet imuniteti i opozitarëve të akuzuar se organizuan puç

Komisioni parlamentar ku u vendos heqja e imunitetit të Andrija Mandiq dhe Milan Knezeviq

Një komision parlamentar në Mal të Zi e ka miratuar kërkesën e prokurorisë speciale për t’ia hequr imunitetin dy zyrtarëve të lartë të opozitës të cilët dyshohen se janë përfshirë në përpjekjen për grusht shtet.

Prokurori Milivoje Katniq e ka hartuar mocionin që mundëson paraburgosjen e Andrija Mandiq dhe Milan Knezeviqit, dhe përballjen e tyre të mëpasshme me gjykatën.

Katniq pretendon se të dy liderët e partisë pro Kremlinit, Fronti Demokratik, dhe që kundërshton anëtarësimin në NATO, dyshohet se “kanë themeluar organizatë kriminale” dhe janë përfshirë në përpjekjet kundër rendit kushtetues dhe sigurisë në Mal të Zi.

Mocioni për heqjen e imunitetit të dy liderëve opozitar duhet të konfirmohet në parlament, votim ky që pritet të mbahet më 15 shkurt.

Mandiq dhe Knezeviq i kanë hedhur poshtë akuzat.

Mali i Zi ka arrestuar rreth 20 persona në lidhje me përpjekjen për grusht shtet të muajit tetor, shumica shtetas të Serbisë.

Rusia e ka hedhur poshtë akuzën se është e përfshirë, por në mënyrë aktive ka përkrahur grupet vendore që kundërshtojnë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Beogradi do kontrollin e trafikut ajror mbi Kosovën dhe linjë avioni me Prishtinën

Qeveria e Serbisë ka formuar Grupin e Punës që do të merret me çështjet e normalizimit të trafikut ajror civil mbi Kosovën dhe me rivendosjen e linjës ajrore Beograd-Prishtinë, ka kumtuar Ministria serbe e Mbrojtjes.

Sipas kësaj kumtese, që e përcjell FoNet, Grupi i Punës do të merret edhe me çështjen e rikthimit të sërishëm të pozicionit të radarit në Kopaonik, me të cilin, siç thuhet, do të krijoheshin kushtet për mbikëqyrje të sigurt të trafikut ajror mbi Kosovën, transmeton Koha.net.

“Formimi i këtij Grupi të Punës nga përfaqësues të institucioneve kompetente, tregon gatishmërinë për vazhdimin e negociatave për këtë çështje të rëndësishme, përkushtimin për ruajtjen e interesave të rëndësishëm vitalë, zhvillimin e paqes e të sigurisë dhe krijimin e klimës së besimit në rajon”, ka thënë kryetari i këtij Grupi, ministri serb i mbrojtjes Zoran Gjorgjeviq i cili ka paralajmëruar biseda për këtë çështje në Bruksel.

Në Grupin e Punës janë ekspertë të Ministrisë së Mbrojtjes e të Ushtrisë së Serbisë, MPJ-së, MPB-së, Ministrisë së Ndërtimit dhe të infrastrukturës, Zyrës për Kosovën, Zyrës për punë koordinuese në procesin negociues me Kosovën, Drejtorisë së aviacionit civil dhe të Agjencisë për kontrollim fluturimesh të Serbisë e Malit të Zi.

Ministri i Jashtëm kroat tregon arsyet e anulimit të takimit dypalësh me Serbinë

Stier përsëriti se pas deklaratës së ministrit Daçiç “i cili sulmoi kardinalin Stepinac sipas një modeli të vjetër komunist” MPJ e Kroacisë ka refuzuar kërkesën e Daçiçit për të mbajtur takim bilateral

ZAGREB – Ministri kroat i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Davor Ivo Stier përsëri komentoi deklaratat e ministrave të Serbisë Daçiç dhe Vulin. Ai tha se është anuluar takimi në nivel ministror mes dy vendeve, por tha se kryeministrat e të dy vendeve komunikojnë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Davor Ivo Stier sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve që të sqarojë deklaratën e tij të fundit, ku tha se Kroacia dëshiron të vazhdojë komunikimin me Serbinë, por ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç nuk është ky kanal i komunikimit.

Stier përsëriti se pas deklaratës së ministrit Daçiç “i cili sulmoi kardinalin Stepinac sipas një modeli të vjetër komunist” MPJ e Kroacisë ka refuzuar kërkesën e Daçiçit për të mbajtur takim bilateral këtë fundjavë.

“Ne duhet të kemi dhe ne kemi të hapur një kanal komunikimi me Beogradin. Ky kanal tashmë është krijuar dhe ju e patë se kryeministrat komunikojnë. Kjo është e rëndësishme sepas ne duam edhe më tej të zhvillojmë marrëdhënie të cilat do të mundësojnë zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura”, tha Stier.

Stier ka thënë se politika e qeverisë kroate është e qartë në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Evropën Juglindore.

I pyetur për të komentuar deklaratën e ministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin, ku ndër të tjera ka thënë: “Tani e dimë se çfarë mendojnë bijtë e ustashëve”, ministri Stier këto deklarata ia atribuon fushatës zgjedhore në Serbi dhe sulmeve që vijnë drejt Kroacisë nga ky kontekst.

“Për fat të keq, rënkojnë edhe për shkak se refuzuam takimin bilateral, por për këtë është dashur të mendojnë para se të sulmonin kardinalin Stepinac në mënyrën më të keqe të një aparatçiku komunist”, tha Stier.

Në Katedralen e Zagrebit pak ditë më parë, më 10 shkurt, është mbajtur një meshë solemne në përvjetorin e vdekjes së Kardinalit Alojzije Stepinac, të cilin Selia e Shenjtë e ka shpallur të bekuar dhe i cili është në pritje të kanonizimit.

Në deklaratat e dy ministrave të sipërpërmendur të Serbisë, ministri kroat Davor Ivo Stier ka reaguar duke anuluar takimin bilateral në nivel ministror.

Selanik, çaktivizohet bomba 225 kg

Guvernatori i Maqedonisë Qendrore Apostolos Tzitzikostas tha se bomba është çaktivizuar dhe u transferua në një zonë ushtarake në mënyrë që të shkatërrohet

SELANIK – Në Greqi është çaktivizuar bomba nga Lufta e Dytë Botërore për shkak të së cilës u evakuuan rreth 75.000 banorë. Bomba me peshë prej 225 kilogram u zbulua me rastin e punimeve ndërtimore në pikën e karburantit në lagjen Kordelio në Selanik.

Guvernatori i Maqedonisë Qendrore Apostolos Tzitzikostas tha se bomba është çaktivizuar dhe u transferua në një zonë ushtarake në mënyrë që të shkatërrohet.

Policia sot vizitoi çdo shtëpi për të informuar banorët që jetojnë në një rreze prej rreth dy kilometra nga bomba, të largohen nga shtëpitë e tyre.

Shumica e banorëve janë larguar nga shtëpitë e tyre me makina, kurse një numër i tyre u transportuan me autobusë në shkolla, salla sportive dhe qendrat kulturore në pjesën tjetër të qytetit.

Në këtë zonë nuk kanë qarkulluar as autobusët, as trenat ndërsa janë anuluar edhe meshat tradicionale.

E pazakontë në Selanik, largohen 70 000 banorë për çaktivizimin e një bombe të Luftës II Botërore

SELANIK- Autoritetet greke filluan sot një operacion të pazakontë evakuimi prej rreth 70 000 banorësh nga Selaniku në kuadër të çaktivizimit të një bombe të Luftës së Dytë Botërore zbuluar së fundi.

“Janë kryer evakuimet e rreth 320 personave me aftësi të kufizuara”, theksoi prefektura.

Operacioni do të kulmojë nesër, me evakuimin e plotë, parashikuar para orës 08:00 GMT të të gjithë rezidentëve të zonës përreth, në një rreze prej 1,9 kilometrash, vendi ku u zbulua bomba javën e kaluar.

”Largimi i të gjithëve është i detyrueshëm, për arsye sigurie”, nënvizoi prefekti i rajonit, Apostolos Xixikostas, në një konferencë shtypi.

“Zbuluar gjatë punimeve pranë një stacioni shërbimi, lënda plasëse përban rreth 250 kilogramë eksploziv”, sipas kolonelit Nikos Fanios.

Një mijë policë janë mobilizuar për të siguruar zonën dhe për të garantuar largimin e banorëve, informuar që prej disa ditësh nëpërmjet medias.

Trafiku i autobusëve dhe trenave do të ndërpritet.

Ka vdekur Lubisha Beara – i dënuar për masakrën e Srebrenicës

Pamje nga Qendra përkujtimore për viktimat e masakrës së Srebrenicës në Potoçari

Ish-oficeri serb i Bosnjës, Lubisha Beara, i dënuar për gjenocid nga Gjykata e Hagës për krime të luftës, për masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, ka vdekur në një burg në Gjermnai, kanë thënë autoritetet.

Lubisha Beara, 77 vjeçar, ish-shef i sigurisë në selinë e armatës së serbëve të Bosnjës në kohën e luftës, ka vdekur më 8 shkurt, thanë autoritetet nëpërmjet një kumtese të mbrëmshme.

Ai ishte dënuar në vitin 2010 për gjenocid lidhur me rolin e tij në vrasjen e afro 8 mijë burrave e djemve myslimanë në Srebrenicë, që ishte masakra më e tmerrshme në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

Lubisha Beara po e vuante dënimin me burg të përjetshëm në Tegel të Berlinit.

Deri tash ekspertët mjekoligjorë i kanë identifikuar më se 6 mijë persona të vrarë në Srebrenicë, ndërsa mbetjet e tyre janë rivarrosur në Qendrën përkujtimore Potoçari, afër Srebrenicës.

Serbia nuk e ekstradon në Mal të Zi puçistin e dyshuar Ristiq

Predrag Bogiceviq (majtas) dhe Nemanja Ristiq, të dyshuarit për përpjekjen për puç në Mal të Zi

Një gjykatë në Serbi e ka hedhur poshtë kërkesën e Podgoricës për të ekstraduar një nga shtetasit e saj të kërkuar nga autoritetet e Malit të Zi për dyshimin se ka marrë pjesë në një përpjekje për grusht shtet.

Qytetarët serbë, Predrag Bogiceviq dhe Nemanja Ristiq janë arrestuar me dyshimin se janë përfshirë në një përpjekje për grusht shtet në muajin tetor, me qëllim që të rrëzohet nga pushteti, qeveria e Malit të Zi.

Gjykata e Lartë në Beograd e ka hedhur poshtë kërkesën për ekstradimin e Nemanja Ristiqit, duke thënë se kërkesa është e “pa bazë”.

Shërbimi për Ballkanin i Radios Evropa e Lirë raporton se vendimi nuk mund të apelohet, por dosja mund të dërgohet në Gjykatën e Apelit në Beograd, për vlerësim përfundimtar.

Kërkesa për ekstradimin e Bogiceviqit është miratuar muajin e kaluar nga gjykata e qytetit serb, Kragujevc.

Bogiceviq vazhdon të mbahet në paraburgim në Serbi, ndërsa Ristiq është liruar.

Kryeprokurori i Malit të Zi ka identifikuar dy shtetas rusë si organizatorë të dyshuar të përpjekjes për puç në Podgoricë, duke e lidhur rastin me përpjekjen e qeverisë malazeze për t’iu bashkuar NATO-s.

Mali i Zi në dhjetor të vitit 2015 e ka marrë ftesën për t’iu bashkuar NATO-s.

Ristiq, në muajin dhjetor të vitit 2016, është parë në një fotografi duke qëndruar afër ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov, derisa ky i fundit ishte për vizitë zyrtare në Beograd.

Daçiçi: Serbia me të gjitha mjetet kundër ushtrisë së Kosovës

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiçi, ka thënë për RTS se Serbia do të luftojë me të gjitha mjetet politike kundër vendimit për krijimin e ushtrisë së Kosovës, sepse “ky është vendim kundër stabilitetit në rajon”.

“Në Bruksel ngrihen vetëm çështjet të cilat iu përgjigjen atyre, derisa kur ne ngrehim ndonjë temë atëherë ata nuk pranojnë të bisedojnë për të”, ka thënë Daçiq.

Duke folur për vendimin gjyqësor për Haradinajn, Daçiq ka thënë se gjykata në Francë tani pret prova nga Serbia, transmeton Gazetametro.net.

“Ai mund të përdorë fjalë të ndryshme që të paraqesë veten si viktimë politike, por ai është kriminel lufte. Gjykata franceze ka kërkuar prova prej autoriteteve serbe. Pra, këtu është fjala për atë që me mjete politike të lirohen kriminelët e luftës”, ka thënë Daçiq.

“BE dëshiron të legalizojë atë që krimet e luftës kundër serbëve janë të lejuara dhe të jo dënueshme”, përfundon ai.

Mohimi etnik dhe gjuhësor i shqipes dhe i etnosit shqiptar Nga Gjekë Gjonaj

Shqiptarët në Malin e Zi siç dhet janë popull autokton. Në trojet e tyr etnike.  Megjithatë  shumica e tyre  (për fat të keq) nuk  i mbajnë mbiemrat autentik. Prej kur?  Që nga fillimet e shekullit njëzet, gjatë Mbretërisë Serbe, Kroate e Sllovene,  Luftës së Parë  Botërore e deri  në Luftën e Dytë Botërore, pothuaj  të gjtha familjet shqiptare kanë qenë të detyruara  nga pushteti që mbiemrat të tyre  t’u shtojnë edhe mbaresën sllave „ iq“  ose  „ viq“. Ky imponim i padrtejtë, i paligjshëm, në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat themelore të njeriut dhe të pakicave,   që iu bë shqiptarëve  nga pushteti  sllav ( serbo-malazias), kishte për qëllim asimilimin  ( sllavizinin) e  qytetarëve të përkatësisë shqiptare. Ky veprim ishte jo vetëm vepër e rëndë e pushtetit serbo-malazias, por  ishte shkelje flagrante  e të drejtave të njeriut dhe atyre nacionale. Kështu brenda natës Gjoni është bërë Gjonoviq, Gjeloshi është bërë Gjelosheviq, Gashi është bërë Gasheviq, Lekoçi është bërë Lekoçeviq, Gjoka është bërë Gjokiq, Luca është bërë Lucoviq, Luli është bërë Luliq, Kovaçi është bërë Kovaçeviq, Mehmeti është bërë Mehmedoviq, Bardhi  është bërë Bardiq ose Barlloviq.Fici është bërë Ficiq, Resulbegu ësdhtë bërë Resulbegoviq,  Beci është bërë Beciq, Kollari është bërë Kollareviq, Elezaga është bërë Elezagiq, Kasmi është bërë Kasmiq, Cungu është bërë Cungoviq , Bushatlia është bërë Bushatliq e  Hasani është bërë Hasanoviq.  Pra, identitet krejt tjetër.

Ndërrimin e mbiemrave shqiptarë në variantin malazez  e gjejmë të vërtetuar vetëm në  Librin e  regjistrimit të familjarëve dhe pronarëve  për evidentimin e pasurisë së paluajtshme në bazë të të të cilave popullata i paguente  shtetit tatimin shtetëror apo „ Protokolli  i Dacijeve“ ( Protokol Dacia) i vitit 1905 dhe më vonë në  regjistrat e amzës  të popullatës shqiptare.

Vlenë të përmendet se në regjistrimet e mëhershme 1878-1904 nuk ekzistonte ky element i shkombëtarizimit dhe asimilimit të shqiptarëve në Mal të Zi.  Gjatë periudhës së përmendur kohore mbiemrat e familjarëve   shqiptarë  shënoheshin në disa   forma ( mënyra) .  Sipas emrit të  babës. Sipas emrit fshatit   të tyre. Sipas nofkës ose llagapit. Sipas profesionit. Sipas thirrjes fetare. Sipas ndonjë grade ushtarake. Në trajtën e të folurës sllave e të tjera,  por   pa iu shtuar prefiksin  „iq „ apo „ viq“.

Pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarëve të Malit të Zi  u është lejuar t’i ndryshojnë mbiemrat e tyre, gjë që një pjesë e tyre simbolike edhe e kanë bërë. Pjesa më e madhe e familjeve të shqiptarëve në Mal të Zi i kanë mbiemrat e sotëm që nga kjo kohë. Ndryshimi i mbiemrit është i lejuar me ligj edhe tash, por pak familje a individë e shfrytëzojnë këtë të drejtë. Çuditërisht korrigjmin e mbiemrave  të shkruara me dhunë „ gabim“ në librat ( regjistrat) amëz   po e bën një numër jashtëzakonisht  i vogël shqiptarësh.  Këtë mundësi tashmë ligjore  nuk po e shfrytëzojnë as disa  persona e individë  që do të duhej të ishin nismëtarët e parë të largimit  të prapashtesave „ viq“ e „ iq“ nga mbiemrat e shqiptarëve – intelektualët, në mesin e të cilëve  edhe mësimdhënës.   Ata dhe qytetarët e tjerë  shqiptarë  brenda dhe jashtë vendlindjes  të cilët  me fanatizëm , besnikëri e tolerancë  sot e kësaj dite vazhdojnë  të mbajnë në pronësi mbiemra të „ veshur“ me një stolisje prapashtesore  duhet ta kenë të qartë se  veprojnë kundër identitetit të tyre dhe në dobi të atyre  sunduesve  që me shekuj  rrinë gati të tjetërsojnë  historinë, kulturën  dhe identitetin tonë .

Dua të them me dashamirësi vëllazërore se këta shqiptarë nga Mali  Zi që sot jetojnë në demokraci  brenda dhe jashtë shtetit dhe ligji ua mundëson rikthimin e mbiemrave të tyre në shqip,  duhet të mos kenë frikë nga askush, pra as nga shteti,   e të  bëjnë me vetëiniciativë  një gjë të tillë . Në këtë mënyrë ata në rend të parë do të respektojnë  paraardhësit e tyre, që para dhunës për ndryshimin e mbiemrave  janë thirrur pa   prapashtesë sllave.

Fenomenin   e sllavizimit të mbiemrave që   ka ngjarë edhe te  shqiptarët e Malit të Zi  e kanë trajtuar  në studimet e tyre gjuhësore  edhe gjuhëtarët e shquar Aleksandër   Xhuvani dhe Eqrem  Çabeji. Sipas tyre të gjtha këto elemente  e kanë pasur prapavinë e qëllimshme politike të mohimit enik dhe gjuhësor të shqipes dhe të etnosit shqiptar. Nga këta dhe shumë shembuj të tjerë shihet një “dhunim” gju­hësor-prapashtesor mbi bazën e emrit shqip, të cilin shqiptarët   duhet patjetër ta  mënjanojnë.

Drejtori i CIA-s Mike Pompeo nesër për vizitë në Turqi

ANKARA – Bëhet e ditur se drejtori i CIA-s Mike Pompeo vizitën e tij të parë jashtë shtetit do ta zhvillojë nesër në Turqi, ku në kuadër të vizitës me zyrtarët turq do të diskutohet për çështjet, kryesisht për PYD-në dhe FETO-n, raporton Anadolu Agency (AA).

Mediat serbe: Putini po e mbron Kosovën me ushtri (Foto)

Mediat serbe vazhdojnë t’i fryjnë zjarrit luftës në mes Serbisë dhe Kosovës,duke u thirrur madje edhe në burime të shërbimeve informative të NATO-s .

Kryeartikulli në ballinën e gazetës serbe “Informer”, në numrin e së martës, mban titullin: “Putin me ushtri mbron Kosovën”, duke u thirrur në burime nga shërbimet informative të NATO-s, shkruan “Informer”, transmeton Telegrafi.

Sipas kësaj gazete, “spiunët e NATO-s ua kanë tërhequr vërejtjen ekstremistëve shqiptarë se në rast se ata e sulmojnë veriun e Kosovës, Rusia menjëherë do të dërgonte në Serbi 1000 pjesëtarë të njësive speciale, 200 instruktorë, aeroplanë me pilotë, armatim dhe ndihmën tjetër të nevojshme”.

Kjo gazetë në numrin e nesërm sjell edhe një artikull tjetër luftënxitës, ku citon ish ushtarin britanik të UÇK-së, Jon Harrison, i cili sipas kësaj gazete thërret vëllezërit shqiptarë që të pastrojnë armët, pasi po i pret një luftë e re me Serbinë.

Në Stamboll do të organizohet Forumi Botëror i Turizmit

Forumi Botëror i Turizmit do të mbahet nga 16 deri më 18 shkurt të këtij viti

Në Stamboll do të organizohet Forumit Botëror i Turizmit, në të cilin do të marrin pjesë dy ish-sekretar britanikë të Punëve të Jashtme dhe Zuckerberg.

Në forumin fjalim do të mbajnë edhe Randi Zuckerberg, drejtoresha ekzekutive dhe themeluese e Zuckerberg Media, dhe ish-drejtoreshë e Facebook-ut, si dhe ish-sekretarët britanikë të Punëve të Jashtme, Jack Straw dhe David Miliband, sekretar në Qeverinë e Tony Blair.

Forumi do të mbahet nga 16 deri më 18 shkurt.

“Takimi global i forumit në Stamboll do të jetë nikoqir i shumë drejtorëve ekzekutiv nga sfera e industrisë, investitorë dhe persona zyrtarë nga mbarë bota”, theksoi grupi në ueb- faqen e tij. aa

Vuçiçi: Kompleksi te ura e Ibrit fillon të ndërtohet nesër sipas marrëveshjes

Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç e ka komentuar rrënimin e murit që ndodhi dje në veri të Mitrovicës.

Ai ka theksuar se me rrëzimin e këtij muri është ruajtur paqja në rajon, kurse kompleksi që do të nis të ndërtohet nesër sipas tij do jetë në përputhje me marrëveshjen e arritur ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, transmeton lajmi.net

Sipas kryeministrit serb, kompleksi do t’i ketë të gjitha detajet që janë të nevojshme për serbët në veri të Mitrovicës.

Muri në veriun e Mitrovicës u rrënua dje, kurse për nesër është paralajmëruar ndërtimi i një kompleksi i cili sipas ministrit të Ambientit, Ferat Shala do të përmbajë lule dhe gjelbërim.

Vuçiç: Rohrabacher është i afërt me lobin shqiptar

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç ka folur për propozimin e kongresistit të  SHBA-së Dana Rohrabacher, i cili sipas medieve serbe Nikoliçit i ka shkruar për këmbim territoresh ndërmjet Serbisë e Kosovës.

Sipas fjalëve të Vuçiqit, Rohrabacher ka qenë edhe në Beograd e edhe në Prishtinë.

”Është i afër me lobin shqiptar, këto janë disa përpjekje për zgjidhej të tjera. Kushtetuta jonë flet për integritet“, citon B92 të ketë thënë kryeministri serb.

Beograd: hapet proces gjyqësor për masakrën e Srebrenicës

Një gjykatë në Serbi hapi të hënën një proces gjyqësor kundër tetë ish policëve serbë të Bosnjës nën akuzat për përfshirje në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995.

Të tetët ishin arrestuar në Serbi në vitin 2015 që shënonte edhe rastin e parë të arrestimit të personave të dyshuar për përfshirje të drejtpërdrejtë në vrasjen e mbi 8 mijë burrave e djemve myslimanë në Srebrenicë. Më pas ata u lanë të mbrohen në gjendje të lirë.

Zonë e mbrojtur atëbotë nga Kombet e Bashkuara. Srebrenica u shndërrua në vendin e mizorive më të egra pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë.

Të tetët akuzohen për pjesëmarrje ne vrasjen e qindra myslimanëve në fshatin Kravica, afër Srebrenicës, derisa ata po përpiqeshin të shpëtonin nga masakra.

Rreth një mijë e 300 veta ishin mbyllur në një depo në Kravicë dhe ishin vrarë me granata dore dhe automatikë.

Procesi në gjykatën serbe për krime lufte në Beograd, shihet si provë për vullnetin e Serbisë për t’u përballur me të kaluarën dhe mizoritë e kryera gjatë luftërave që çuan në shkatërrimin e përgjakshme të Jugosllavisë ndërmjet viteve 1991-1999.

Serbia duhet të dënojë kriminelët e luftës për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Më 2008, ajo arrestoi ish udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, ndërsa tre vjet më pas edhe komandantin ushtarak Ratko Mladiç, për t’i dorëzuar në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara për krime lufte në Hagë.

Të dy ata qëndruan në arrati për më shumë se një dekadë.

Në vitin 2007 një gjykatë serbe dënoi katër pjesëtarë të njësitit paraushtarak Skorpionët të cilët kishin regjistruar një video ku shiheshin duke vrarë gjashtë të rinj boshnjakë në kohën e masakrës së Srebrenicës.

Atëbotë gjykata tha se nuk kishte prova për të lidhur të dyja ngjarjet.

Bunkeri antibërthamor i Titos në Bosnjë

Shuma e ndërtimit të tij ka arritur vlerën prej 4.7 miliardë dollarësh, ndërkohë që është ndërtuar që të mund t’u rezistojë edhe sulmeve me bomba atomike prej 24 tonelatash

KONJIQ – Bunkeri me emrin e koduar “Istanbul”, të cilin presidenti i ish-Jugosllavisë Josip Broz Tito e kishte ndërtuar në qytetin Konjiq në jug të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) si masë ndaj ndonjë sulmi të mundshëm bërthamor, po i kthen vizitorët në të kaluarën.

I përfunduar në vitin 1979 pas punimeve që zgjatën një çerek shekulli gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, bunkeri u nxorr në shesh në vitin 1992, vit ky në të cilin filloi lufta në Bosnjë.

Ky bunker nëntokësor, i cili ka ruajtur misteriozitetin deri në hapjen për vizitorët në vitin 2011, i shpien njerëzit në një udhëtim kohor me mjetet teknologjike ushtarake që ndodhen brenda, telefonat e vjetër dhe mobiliet e vjetra.

Bunkeri ngjall ndjenjën e prezencës në një labirinth me tunelet dhe dhomat e veçanta të përgatitura për qëllime të ndryshme. Ai është i ndërtuar në mënyrë që 350 persona të mund të qëndrojnë për gjashtë muaj rresht pa patur aspak kontakt me botën e jashtme.

Shuma e ndërtimit të tij ka arritur vlerën prej 4.7 miliardë dollarësh, ndërkohë që është ndërtuar që të mund t’u rezistojë edhe sulmeve me bomba atomike prej 24 tonelatash.

Pas përfundimit të punimeve ndërtuese, Tito asnjëherë nuk arriti ta shohë bunkerin, kurse në të shfaqen me tiparet origjinale dhoma dhe zyra e punës e liderit të Jugosllavisë së dikurshme.

Gjithçka brenda bunkerit, e ngelur që nga viti 1979

Bunkeri është projektuar me emrin “ARK D-0”, kurse pas zbulimit të tij, konkretisht në vitin 2011, u tha se emri i tij i koduar ka qenë “Istanbul”. Emri i koduar “Istanbul” për bunkerin, thuhet të ketë buruar nga përafrimi i marrëdhënieve të Jugosllavisë me Turqinë në periudhën në fjalë.

Në bunkerin e hapur për vizitorët në vitin 2011 përmes një bienali të arteve bashkëkohore, ekspozohen punimet e shumë artistëve nga shtete të ndryshme, përfshirë edhe gjashtë artistë nga Turqia, që kanë të bëjnë me Luftën e Ftohtë, armët bërthamore dhe luftën në përgjithësi.

Mirnes Baljic, zëvendësdrejtori i bienalit, në një bisedë për AA tha se nuk ekziston ndonjë dokument zyrtar që hedh dritë mbi arsyet pas emërtimit të bunkerit me emrin e koduar “Istanbul”, duke shtuar se supozohet që emërtimi në fjalë të ketë buruar nga marrëdhëniet e mira mes Jugosllavisë dhe Turqisë në atë periudhë.

Duke rikujtuar se në kohën e ndërtimit të bunkerit në Jugosllavi kishte zhvillim në aspektin e ndërtimtarisë, Baljic u shpreh se “Punonjësit këtu supozonin se po ndërtonin diç tjetër. Në Konjiq kishte edhe struktura të tjera të ndërtuara në forma të ndryshme, siç ishin godinat dhe fabrikat. Për këtë arsye, njerëzit në fillim nuk dyshonin se ky do të ishte ndonjë vend sekret”.

Baljic tregoi se ushtria jugosllave gjithnjë e ka mbajtur “top sekret” bunkerin, duke shtuar se në atë periudhë punonjësit kanë qenë të detyruar të nënshkruanin dokument se nuk do të shpalosnin informacione në lidhje me ndërtimin e vendit në fjalë.

Siç tha Baljic, gjithçka brenda bunkerit ka ngelur nga viti 1979. Ai shtoi se që nga viti 2011, bunkerin dhe ekspozitën brenda saj e kanë vizituar afërsisht tetë mijë persona.

Baljic theksoi se të gjitha punimet artistike që gjenden në bunker përmbajnë mesazhe të ndryshme.

“Ky bunker i ndërtuar vetëm për një numër të caktuar njerëzish, aktualisht mund të vizitohet nga të gjithë. Aty, vizitorët mund të shohin gjëra shume të fshehta dhe punime të artistëve nga bota. Ky vend më parë ishte i lidhur me idenë e luftës bërthamore, kurse tani me artin bashkëkohor”, shtoi Baljic.

Çmenden mediat serbe: Edi Rama kërcënon Serbinë me luftë

Mediat serbe vazhdojnë të kenë temë kryesore në ballinat e tyre raportet e tensionuara Kosovë-Serbi me spekulime të ndryshme që kanë të bëjnë me deklarata të liderëve shtetërorë në Kosovë madje edhe në Shqipëri.

Gazeta serbe “Kurir” sot e ka kryetitull në ballinë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, duke e akuzuar se po kërcënon serbët.“Edi Rama kërcënon me luftë: Serbë, të gjithëve do t’ju shkelim në qoftë se vetëm një centimetër do të hyni në Kosovë”, ky është kryeartikulli i gazetës serbe, përcjell Telegrafi.

Artikulli i gazetës serbe i referohet paraqitjes së fundit në kryeministrit shqiptar bashkë me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në një emision televiziv.“Kurir” shkruan se Thaçi ka kërcënuar se serbët do të jenë të detyruar ta rrënojnë murin në Mitrovicë, kurse Rama haptas ka porositur se do ta sulmojë Serbinë, shkruan gazeta.“Derisa Beogradi apelon për paqe dhe përmbajtje, shqiptarët nuk pushojnë duke kërcënuar me luftë. Rama ka shkuar edhe një hap më tutje duke kërcënuar se ‘Kosova dhe Shqipëria bashkarisht do ta mbrojnë territorin e tyre’ dhe se do të reagojnë në çdo ndërhyrje të Serbisë në territorin e Kosovës”, shkruan gazeta serbe.

Protestat në Rumani: Jo mafies politike

Peter Janku

Ata u mblodhën së bashku njësoj si hajdutët natën: pa njoftuar as kolegët e kabinetit në ditën me diell për qëllimet e tyre, kësisoj të martën në mbrëmje (31.01) ministri i Drejtësisë Florin Iordache vendosi në rendin e ditë të një mbledhjeje të pazakontë të kabinetit në një orë të vonë dekretet me procedurë të përshpejtuar. E më pas ai me këmbëngulje dhe i pamëshirshëm argumentoi, atë që theksojnë pa u lodhur mbështetësit e qeverisë, që ata të lirohen prej “burgjeve të tejmbushura”. Brenda natës dekretet u publikuan në fletoren zyratre, për të hyrë kështu menjëherë ligjërisht në fuqi.

Gjoja burgje të tejmbushura

Qeveria nuk i mori parasysh deklarimet e ekspertëve, që pas një verifikimi e kanë theksuar vazhdimisht, se burgjet në Rumani nuk janë të mbingarkuara, ose të paktën më pak të ngarkuara krahasuar me ato holandeze e italiane. Iordache në një konferencë shtypi të organizuar me nxitim nuk lëshoi pe ndaj asnjë rezerve të shprehur mbi bazë argumentash. Ai vazhdimisht theksoi, se vetëm qeveria dhe parlamenti kanë “të drejtë, që të lëshojnë ligje e dekrete”.

Se çfarë synohet vërtetë përmes dekreteve, kjo merret me mend nga nxitimi si dhe mosrespektimi me arrogancë i të gjitha rregullave dhe normave demokratike dhe të shoqërisë civile: synohej, që të dalin me duar të pastra dhe të mund të qeverisin sërish ata që janë dënuar ndërkohë për mashtrim elektoral si dhe për shkelje të tjera si kryetari i partisë socialdemokrate, Liviu Dragnea, e duzina të tjerë anëtarët të partisë të akuzuar për korrupsion e abuzim.

E kjo pavarësisht manifestimeve masive kundër, pavarësisht refuzimit të dekreteve nga opozita dhe shoqëria civile, pavarësisht kërkesës së presidentit për pezullimin e tyre, pavarësisht mosaprovimit prej drejtësisë dhe drejtueses së Autoritetit të Antikorrupsionit, DNA, së cilës i tremben të gjithë politikanët.

Presidenti i indinjuar

Presidenti Klaus Johannis, i cili një herë ia doli që qeveria t’i heqë dekretet nga rendi i ditës, reagoi i indinjuar. Presidenti i kërcënuar disa herë me shkarkimin nga posti prej krerëve të partisë populiste socialdemokrate dhe aleatëve të saj liberal në koalicion, e kritikoi aksionin me nxitim në terrin e natës që u pasua me aksione protetste. Johannis e quajti një “ditë zie” dhe deklaroi, se “deri në ditën e tij të fundit në detyrë” do të luftojë për rivendosjen e shtetit ligjor në Rumani. Kritika të ashpra erdhën edhe nga organizma relevantë duke përfshirë edhe sindikatat, që tradicionalisht janë të afërta me qeverinë e majtë nacionaliste.

Ndërsa nga qendra e europianëve të preokupuar me Trump-in dhe populistët e djathtë në Europën Qendrore nuk pati asnjë reagim. Të nesërmen e vendimit përmes një mesazhi në twitter u prononcua europarlamentarja ekologjiste Rebecca Harms duke iu adresuar presidentit të Komisionit të BE-së Tusk, se Rumania ka nevojë për ndihmën e BE-së. Diku nga mesdita (01.02) Jean-Claude Juncker dhe ambasada gjermane në Bukuresht shprehën shqetësimin e tyre. Megjithatë në sfondin e efikasitetit të mediave të propagandës ultranacionaliste dhe armiqësore ndaj demokracisë ndërhyrje të tilla kalojnë pa u vënë re.

Rumania nuk duhet lënë vetëm

A është i kërcënuar tani ekzistencialisht shteti ligjor në Rumani? Këtu në fillim të viteve nëntëdhjetë u aplikua një sistem postkomunist autoritar i “demokracisë origjinale”. Por edhe në vende të tjera nga Ankaraja deri në Budapest, nga Varshava deri në Uashington tashmë parimet e padiskutueshme po cënohen prej populizmit të shfrenuar. Apo ndoshta ka marrë fund është sheti ligjor rumun? Nuk përjashtohet as njëra dhe as tjetra. Masat e rigjallërimit janë urgjentisht të nevojshme. Europa kurrësesi nuk duhet ta lerë vetëm Rumaninë. Ta ndjekësh me vëmendje dhe të veprosh me efikasitet, kjo do të ishte rruga e vetme e arsyeshme.

Nikoliçi: Thaçit ia zgjata dorën, por i thashë se je kriminel

Presidenti serb, Tomislav Nikoliç, ka thënën se gjatë negociatave në Bruksel me palën kosovare më 24 janar, i kishte thënë Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se është kriminel

Nikoliq ka thënë se Thaçi filloi të flasë për krimë lufte, dhe për këtë arsye, Nikoliq i kishte thënë Thaçit “ti je kriminel”.

Megjithatë, media serbe “Kurir” thotë se Federica Mogherini ishte mjaft e tensionuar para takimit.

Vetë presidenti i Serbisë Nikoliq e ka konfirmuar për median serbe se i ka thënë presidentit të Kosovës se është kriminel.

“Unë nuk kam mundur të heshtë për një gjë të tillë, kam thënë se ai është akuzuar për krime lufte dhe për këtë arsye duhet të japë përgjegjësi”, ka thënë presidenti serb.

“Nuk kam bërë asnjë skandal, ia kam zgjatur dorën atij kur kemi hyrë në sallën e takimit”, ka konfirmuar Nikoliq.

Ndryshe, mbrëmë në Bruksel është mbajtur takimi i raundit të ri të negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Vuçiçi: Rakiq pranon që të shembet muri në Mitrovicë të veriut

Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç është takuar pasditen e së enjtes me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe kryetarit e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Gjatë një pauze të këtij takimi ai u ka thënë medieve se në takimin e së mërkurës në Bruksel bisedimet kanë qenë të rënda.

“Dëshiroj të them se kemi pasur bisedime të rënda, në të cilat Serbia i ka pranuar gjithçka që është kërkuar nga ajo. Pse këtë nuk duan ta thonë disa, pyetni ata. Së shpejti do të jem i gatshëm që qytetarët e Serbisë, plotësisht t’i informoj dhe tu them se me çfarë presionesh jemi ballafaquar, me çfarë tentimesh të shembjes së sovranitetit të vendit tonë”, ka thënë Vuçiq.

Sipas tij nga Prishtina është kërkuar shembja e murit në Mitrovicën e veriut, pavarësisht që rregullimi komunal është nën kompetencat e komunës.

“Madje edhe sipas ligjeve të Kosovës, kjo është nën kompetencat e drejtpërdrejta të vetëqeverisjeve lokale, pra nën kompetencat e Goran Rakiqit nga Mitrovica e veriut. ‘Nuk numërohet’, nuk vlejnë as ligjet e Kosovës. ‘Nuk vlen asgjë, duhet të shembet’. Goran Rakiq pranon që të shembet (muri), jo pse mendon keq për popullin e tij ose pse është frikacak, por sepse dëshiron ta ruaj paqen”, theksoi Vuçiq.

Ai gjithashtu ka theksuar se i ka porositur serbët e Kosovës që të rrinë të qetë.

“Në emër të shtetit të Serbisë dhe në emrin tim personal i lus serbët e Kosovës që të rrinë të qetë me çdo çmim, të jenë të dinjitetshëm dhe me krenari ta ruajnë emrin dhe mbiemrin e tyre serb, të mos i braktisin vatrat e tyre. Ne do të luftojmë me të vërtetën, me të drejtën dhe me drejtësi”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se për Serbinë dhe për serbët më e rëndësishme është paqja.

Sheshel: Shqiptarët do ta sulmojnë veriun e Kosovës, Serbia të reagojë

Lideri radikal serb, Vojisllav Sheshel ka thënë sot se shqiptarët planifikojnë sulm të armatosur në katër komunat veriore të Kosovës në kohën gjatë vizitës ose pas vizitës së sekretarit të NATO-së, Jens Stoltenberg në Kosovë.

Ai në konferencë për media ka thënë se këtë informacion e plason në publik në mënyrë që të parandalohen incident, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, ky nuk është kërcënim për shqiptarët, por vetëm thirrje që shteti të reagojë dhe të mbrojë popullsinë serbe.

Sot gjatë ditës agjencia serbe e lajmeve, Tanjug, agjenci shtetërore, ka raportuar se kinse shqiptarët po planifikojnë sulm të pjesën veriore.

Kjo vije vetëm një ditë pas takimit në Bruksel ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe.

Merkel nesër vizitë në Turqi

Sipas informacioneve të marra nga burimet e Kryeministrisë së Turqisë, thuhet se Merkel do të jetë në Turqi në kuadër të përgjigjes së ftesës së bërë nga Kryeministri i vendit, Binali Yıldırım

ANKARA – Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të qëndrojë nesër në Turqi për një vizitë pune. Sipas informacioneve të marra nga burimet e Kryeministrisë së Turqisë, thuhet se Merkel do të jetë në Turqi në kuadër të përgjigjes së ftesës së bërë nga Kryeministri i vendit, Binali Yıldırım.

Ndërkohë gjatë takimeve të ditës së nesërme pritet të diskutohen tema të ndryshme, si marrëdhëniet Turqi-Gjermani, lufta kundër terrorizmit, emigracioni, çështja e Qipros, marrëdhëniet Turqi-BE. Gjithashtu do të diskutohen çështje të tjera të cilat janë në axhendë të të dy vendeve dhe çështje rajonale e ndërkombëtare.aa

Treni rus nuk vjen në Merdar

Nga Srbija Voz sonte erdhi lajmi se “treni tematik”, siç kanë zënë ta quajnë mediat serbe trenin nacionalist me ikona fetare serbe, me motive kishtare nga Kosova dhe ma fjalitë provokuese në 21 gjuhë “Kosova është Serbi” , e ka ndërruar itinerarin, transmeton Koha.net.

“Treni rus” nuk do të vijë nesër në Merdar në relacionin Nish-Prokuple-Merdare”, thotë njoftimi pa dhënë ndonjë sqarim.
Më herë ishte thënë se ky treni nesër do t’ia afrohej Merdarit, kufirit Kosovë – Serbi.
Nuk dihet pse është ndërruar destinacioni i tij, porse treni në vend se deri afër Merdarit, nesër do të lëvizë në drejtimin Beograd Dunav – Vërshac.

Vuçiç-Tsipras: Këshilli i Lartë ndërshtetëror seancë të përbashkët në Selanik

BEOGRAD – Për të përforcuar lidhjet miqësore, kryeministrat e Serbisë dhe Greqisë, Aleksandër Vuçiç dhe Alexis Tsipras në takimin në Beograd janë dakorduar për formimin e Këshillit të Lartë dhe mbajtjen e seancës së përbashkët në pranverë në Selanik.

Vuçiç pas bisedimeve, të cilat sipas tij, kane qenë “të gjata dhe serioze”, tha se me homologun grek kanë diskutuar tri tema kyçe, konkretisht për bashkëpunimin ekonomik, përforcimin e lidhjeve të ndërsjella dhe stabilitetin rajonal.

Ai theksoi se shkëmbimi tregtar mes Serbisë dhe Greqisë arrin 377 milionë euro në vitin 2016, duke mos llogaritur muajin dhjetor. “Biseduam edhe për stabilitetin rajonal dhe mbështesim pjesëmarrjen e Greqisë në procesin e Berlinit. Konsiderojmë se Greqia është një nga vendet kyçe në Ballkan. E falënderojmë për faktin se nuk ka njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiç.

Gjithashtu është shtuar se ndonëse marrëdhëniet mes dy shteteve janë të mira, “nuk janë mësuar që shtatë vite të mos ketë takim në nivel kryeministrash” për çka u dakordua që të mbahet një seancë e përbashkët e qeverisë.

“Këshilli i Lartë në Selanik do të mbajë mbledhje tashmë në pranverë, ndërsa mundësia e bashkëpunimit është në sferën e infrastrukturës, energjetikës dhe teknologjisë së lartë. Planifikojmë edhe lidhje hekurudhore Beograd-Selanik, për të afruar dy vendet dhe të bëjmë rrjet bashkëkohor hekurudhor”, tha Tsipras.

Të dy kryeministrat theksuan miqësinë mes dy vendeve. “Mbështes dëshirën e Serbisë që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian”, tha Tsipras.aa

Greqia ka shkallën më të lartë të papunësisë në Eurozonë

Nga ana tjetër, Banka e Greqisë thotë se vendin në fakt e kanë lëshuar mbi 420.000 shtetas, pohim ky që nuk është komentuar nga zyrtarët

ATHINË – Greqia ka shkallën më të lartë të papunësisë në Eurozonë, flasin të dhënat e publikuara të martën nga Eurostati. Ndonëse shkalla e papunësisë në Eurozonë në dhjetor të vitit 2016 ka qenë 9.6 për qind, matjet e bëra në fundi të tetorit flasin se Greqia ka shkallën e papunësisë prej 23 për qind, e ndjekur nga Spanja me 18 për qind.

Në Greqi, më të prekur kanë qenë të rinjtë të moshës nën 25-vjeçare me 44 për qind nga totali i të papunëve, ose 114.000 individë.

Numrat e lartpërmendur paraqesin një zbutje të vogël nga viti 2015, atëherë kur mbi gjysma e të rinjve grekë ishin të papunë, shkalla më e lartë në Evropë për papunësinë tek të rinjtë.

Shifrat e publikuara të martën flasin se papunësia në Evropë shënon rënie, megjithatë shtetet që përballen me vështirësi, siç janë Greqia dhe Spanja vazhdojnë të demonstrojnë shkallë të lartë të papunësisë.

Në bazë të të dhënave zyrtare të publikuara në shtator të vitit 2016, mbi 330.000 grekë kanë braktisur vendin prej kohës kur vendi u kaplua nga kriza financiare në vitin 2010.

Nga ana tjetër, Banka e Greqisë thotë se vendin në fakt e kanë lëshuar mbi 420.000 shtetas, pohim ky që nuk është komentuar nga zyrtarët.

Vuçiçi i është mirënjohës Greqisë që nuk e njeh Kosovën

Beograd, 31 janar 2017.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiçi, tha se i është mirënjohës Greqisë për mbështetjen që i jep vendit të tij në rrugën evropiane dhe për faktin që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Vuçiq tha se kjo miqësi duhet të forcohet edhe me marrëdhënie më të mira ekonomike, andaj paralajmëroi mbajtjen e një mbledhjeje të përbashkët të dy qeverive.

Vuçiq i bëri këto komente për gazetarët në Beograd, pasi priti homologun grek, Alexis Tsipras.

Kryeministri serb tha po ashtu se Serbia dhe Greqia do të bashkëpunojnë edhe rreth krizës së emigrantëve, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Greqia është në mesin e pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, edhe gati nëntë vjet pas shpalljes së saj.

Mesiçi jep dorëheqje për deklaratat e viteve 1990- 1992

Zagreb, 31 janar – Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiçi, ka dhënë sot dorëheqje nga posti i kryetarit të nderit të Lidhjes së Luftëtarëve Antifashistë dhe Antifashistëve të Kroacisë me arsyetimin se kështu dëshiron ta kursejë këtë organizatë nga pasojat negative, pas publikimit të xhirimeve me deklaratat e tij nga vitet 1990 dhe 1992.

“Duke parë situatën e krijuar pas publikimit të xhirimeve me deklaratat e mia, po e përsërisë absolutisht të papranueshme nga viti 1992, si dhe ato të publikuara më vonë nga viti 1990, dhe duke pasur parasysh faktin se ka edhe xhirime të tjera të deklaratave të mia nga ajo periudhë po aq të papranueshme, me dëshirën që të kursej Lidhjen e Luftëtarëve Antifashistë dhe të Antifashistëve të Kroacisë (SABA) nga pasojat negative, jap dorëheqje nga funksioni i kryetarit të nderit”, thuhet në dorëheqjen e tij paraqitur kryetarit të kësaj organizate, Franjo Habulinit.

Ai ka deklaruar se kështu kishte folur gjatë një periudhe rreth tri vjetësh, meqë “ashtu ishin atëherë politikat e HDZ-së, e janë edhe sot”, por që gjatë njëzet vjetëve më pastaj, sidomos “gjatë kohës që kam ushtruar detyrën e presidentit të Republikës së Kroacisë, kam përfaqësuar pikëpamje diametralisht të kundërta”.

“Duke mos dashur të arsyetohem, marrë përsipër gjithë përgjegjësinë për atë që tash po e mohoj”, ka deklaruar ai, përcjell Koha.net.

Mesiq shton se besnikëria e tij “ndaj antifashizmit si vlerë dhe besnikëria në luftën kundër fashistizimit të Kroacisë me hapa galop në asnjë mënyrë, aq më pak publikimi i xhirimeve të vjetra një çerek shekulli, nuk do të më luhatin” është shprehur ai.

Sheshel: Rusia ta mbrojë Kosovën jo pse është serbe, por se është edhe ruse

Lideri i radikalëve në Serbi, Vojisllav Sheshel, në një intervistë për televizionin shtetëror rus, ka thënë se Serbia duhet të afrohet aq shumë me Rusinë, sa që kur kjo e fundit të mbrojë Kosovën si pjesë të Serbisë, ta mbrojë si pjesë të Rusisë.

Shesheli, siç transmeton Koha.net, tha se shteti serb mund ta mbrojë Kosovën vetëm me ndihmën ruse.

“Vuçiqi po gabon kur po mendon se mund të ulet në dy karrige, se mund të jetë mik i sinqertë i Rusisë dhe se mund ta dërgojë Serbinë në BE. Këto dy gjëra nuk shkojnë së bashku. Serbia duhet që sa më parë të ndajë mendje: ose jemi me Rusinë, për integrim me Rusinë, ose jemi për opsionin perëndimor e më pas i humbim të gjitha. Ne Kosovën mund ta ruajmë vetëm me ndihmën ruse, por duhet që në atë mënyrë të integrohemi me Rusinë, që Rusia kur ta mbrojë Kosovën, të mos e mbrojë vetëm pse është serbe, por se është edhe ruse. Kjo duhet të jetë shkalla e integrimit tonë me Rusinë. Afërsisht, ne duam statusin që e ka Bjellorusia”, ka deklaruar Shesheli, transmeton Koha.net.

Ai ka shtuar se dëshiron që Rusia të fitojë prapa gjithçka që Rusia ka humbur si pasojë e mashtrimeve të Perëndimit përmes Jelcinit dhe Gorbaqovit, dhe që “Rusia të kthehet në Ballkan”.

MENAXHERI ITALIAN RRËFEN : FLUTURONJA ME DROGËN E NARKOSVE

(Nën mbrojtje në Shqipëri. 68 vjeç, fitonte 25 mijë euro në çdo rrugë)/

Nga Andrea Galli/Perktheu:Eugjen Merlika/MILANO:

Fillimisht kishte qënë i heshtur, deri në mohimin e faktit të dukshëm, duke filluar nga dyqind kilogram mariuhane në aeroplanin e turizmit të përplasur në shtator, ndërsa mundohej të ngrihej nga një rrip toke në Ishëm, pranë Durrësit. Tani menaxheri italian Guido Andrea Guidi, 68 vjeç, nuk pushon “së foluri”. Rrëfime mbi rrëfime. Aqë sa të alarmojë botën e krimit shqiptar që e kishte rekrutuar e kundër së cilës është rrjeshtuar, duke treguar emra, aq sa të detyronte hetuesit e Tiranës t’i tërhiqnin pashaportën, t’a vinin nën mbrojtje absolute dhe ta fshihnin në vende sekrete, për të shmangur hakmarrje vrasëse.Rrezikon, rrezikon shumë Guidi, një jetë aventurore me telashe gjyqësore (kishte rënë në ujdi me gjyqtarët për një aksident ajror me vdekjen e dy pilotëve të kompanisë së tij të vogël ajrore), lidhet me “narkosët e Ballkanit” për të rregulluar disa probleme ekonomike. “Kontrata” parashihte trasportin e drogës nga Shqipëria në Lombardi, me vendmbërritje të njëjtin treg të Milanos. Udhëtime të shpërblyera me 20 mijë deri në 25 mijë euro, për t’u kryer me fluturime “fshehurazi”(në kuota t’ulta duke shmangur radarët), me ulje në dhjetra aeroporte turizmi (ka edhe nga ata vetiakë të nxjerrë në fusha) me tërheqjen e mariuhanës nga njerëz t’organizatës.

Gjithshka e lehtë me kusht që të mos pikaseshin. Me atë aksident të shtatorit, të ndodhur në një zonë të vetmuar, por që të çonte tek trafikantët, menaxheri e kishte prishur krejtësisht mbulojën. Policët kishin arritur më parë se sa bashkëpuntorët e Guidit ; e kishin marrë dhe shpënë në zyrë për t’a pyetur ; në pritje e kishin sistemuar në një hotel. Ndoshta milanezi kishte menduar të organizonte arratisjen pa gjetur mbështetje të përshtatëshme, i braktisur siç kishte mbetur nga organizata ; ndoshta ishte i sigurtë se, me kohë, do t’a kishin liruar ose do t’a linin në heshtje çështjen. Ndërsa gjërat ishin keqësuar me shpejtësi, edhe për zbulimin e një blloku në xhepin e manaxherit, që përmbante numura personash”tepër të rëndë”, duket se ishin personazhe me ndikim në jetën publike shqiptare. Nga hoteli Guidin e kishin fshehur në gazerma. Shumë i pavolitshëm, shumë e brishtë pozita e tij : më mirë të merrej nën kujdes e të punohej me të në qetësi. Duke pasë fituar besimin ne vetvete, ose edhe tek hetuesit, apo ndoshta për të provuar të shpëtonte, 68-vjeçari “këndoi”. Me njoftime të vërteta, shpejt të kontrollueshme. Është e vështirë të merret me mënd kur Guidi do të rishohë Italinë. Shqiptarët nuk kanë asnjë niet t’a lënë të iki. Duhet të mbyllet hetimi. Një nga të shumtit, në të vërtetë, mes dy Vendeve.

I këtyre orëve është ripohimi i policëve dhe karabinjerëve për zbarkimin e pandërprerë, veçanërisht në Salento, të gomoneve të mbushura me drogë, edhe se është dimër e deti është me dallgë. Skafistët nuk njohin pushim. Kërkesa është këmbëngulëse dhe oferta nuk mund të jetë më e pakët. Simbas vlerësimesh jo zyrtare të Rojës së Financës, fitimet nga mariuhana arrijnë shumën e një të katërtit Prodhimit të Përgjithshëm bruto  të Shqipërisë. Kanë qenë kriminelë të pasuruar me trasport emigrantësh në vitet e dëshpërimit të luftës civile, që kanë blerë shtëpi e hotele në Vlorë, që janë qetësuar duke bërë rrush e kumbulla fitimet në festa, në makina lluksi, në kokainë e kurva, por që, më së fundi nuk i kanë qëndruar dot pasionit kriminal. Janë kthyer plotësisht në trafiqet. Njëri ndër më aktivët, thonë, ka një nofkë e lindur për “merita” të padiskutueshme n’atë fushë : e quajnë “çakalli”.

“Corriere della Sera”, 28 janar 2017

E përktheu Eugjen Merlika

Ushtria greke kërkon dënim 60 ditë burg për rekrutët me origjinë shqiptare

Mjetet greke të informimit njoftuan se Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë greke i kërkoi Ministrit grek të Mbrojtjes firmosjen e dënimit me 60 ditë burg për shtatë rekrutët me origjinë shqiptare. Masa e rëndë disiplinore për rekrutët, sipas Shtabit të Ushtrisë, vjen pasi ata janë gjetur fajtorë për shfaqjen në rrjetet sociale të një fotoje ku formojnë me duar shqiponjën, simbol të flamurit shqiptar.

Sipas hetimeve të ushtrisë greke ushtarët ishin vetëfotografuar duke formuar me duar shqiponjën në Qendrën e Trajnimit të Mesologjit në kundërshtim me rregullat e ushtrisë. Rekrutët pritet të shërbenin në Gardën e Ushtrisë greke pas betimit që duhet të bënin më 2 shkurt.

Në Ushtrinë greke kryejnë shërbimin e detyrueshëmushtarak disa qindra të rinj me origjinë shqiptare, familjet e të cilëve kanë emigruar në Greqi dhe kanë marrë nënshtetësinë greke gjatë viteve të fundit. Publikimi i fotos nga rekrutët me origjinë shqiptare ngjalli reagime të forta në shtypin e të dy vendeve. Në Greqi reagime erdhën edhe nga subjektet politike, ku partia më e madhe e opozitës, “Demokracia e Re”, kërkoi një interpelancë me Ministrin grek të Mbrojtjes, interpelancë që pritet të mbahet gjatë muajit shkurt.

Theresa May: “Mes Britanisë dhe Turqisë ka filluar një partneritet i ri strategjik”

ANKARA – Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, me kryeministren britanike, Theresa May, pas takimit kokë më kokë dhe mes delegacioneve në rezidencën Çankaya mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.

Yıldırım gjatë fjalës së tij është shprehur se “Kur kemi parasysh se terrorizmi është një nga kërcënimet më të mëdha në ditë e sotme, autoritetet e aviacionit civil të të dy vendeve do të punojnë bashkë në çështjen e sigurisë së ndërsjellë të aeroporteve, nëse udhëtarët që hyjnë dhe dalin në aeroporte kanë apo jo lidhje me terrorizmin apo me qëllim për të konfirmuar nëse janë marrë të plota masat e sigurisë që janë të nevojshme kundër sulmeve terroriste.

Kryeministrja britanike u shpreh se mes Britanisë dhe Turqisë ka filluar një partneritet i ri strategjik.

Duke theksuar se me homologen May kanë biseduar për marrëdhëniet dypalëshe, Yıldırım është shprehur se për zhvillimin e bashkëpunimit aktual, kryesisht në fushën e sigurisë dhe të ekonomisë, për të cilat sipas tij, që të dy palët kanë konfirmuar se kanë vullnetin e përbashkët.

Pasi ka vënë në dukje se partneriteti strategjik midis dy vendeve ka një bazë të fortë, ai ka theksuar se duke marrë në konsideratë kushtet aktuale dhe ngjarjet rajonale, kanë shprehur vullnetin e dy vendeve që këtë partneritet ta çojnë në një dimension gjithëpërfshirës si në pikëpamjen dypalëshe ashtu edhe në atë globale.

“Dy vendet do të punojnë mbi një projekt të ri për zhvillimin e një avioni luftarak”

Kryeministri Yıldırım ka njoftuar se për të rritur edhe më tej bashkëpunimin në fushën e industrisë së mbrojtjes mes Industrisë Ajrore Turke (Turkish Aerospace Industries -TAI) dhe gjigandit britanik të mbrojtjes BAE Systems është nënshkruar një marrëveshje për zhvillimin e projektit të avionit luftarak kombëtar.

Sipas tij, me këtë marrëveshje që të dy kompanitë do të punojnë në mënyrë të ndërsjellë për zhvillimin e një modeli të ri të një avioni luftarak. Yıldırım ka theksuar se do të tregojnë përpjekje të përbashkëta në çështjet për rritjen e shkëmbimit të teknologjisë, informacionit dhe për rritjen e burimeve dhe kapaciteteve njerëzore të ndërsjella.

Ndër të tjera kryeministri i Turqisë është shprehur se ky është një projekt i rëndësishëm që qeveria turke dhe ajo e Mbretërisë së Bashkuar e mbështesin dhe se ky projekt do të çojë përpara fuqinë e të dy vendeve në fushën e mbrojtjes.

“Organizata terroriste e Fetullah Gülen që është aktori kryesor i tentativës për grusht shteti më 15 korrik ashtu si në të gjithë botën edhe në Britani ka aktivitete që dihen. Kemi patur mundësinë që të informojmë kryeministren May në lidhje me këto aktivitete. Gjithashtu nga kryeministrja kemi kërkuar që në kuadër të ligjit të kryejnë atë që është e nevojshme kundër zgjatimeve të kësaj organizate kriminale”, është shprehur ndër të tjera kryeministri Yıldırım në lidhje me FETO-n.

Ndërsa kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, në fjalën e saj ka theksuar se sot kanë nisur një partneritet strategjik të ri dhe ka vënë në dukje se ky partneritet do të jetë i dobishëm për shkëmbimin e inteligjencës, për ofrimin e sigurisë së aviacionit dhe të sigurisë brenda vendit.

“Ky partneritet do të ndihmojë Turqinë. Sepse Turqia ndodhet nën kërcënimin e sulmeve terroriste që sa vijnë e rriten. Të mos harrojmë se në 18 muajt e fundit janë vrarë 1,500 forca sigurie dhe ushtarë turq”, është shprehur kryeministrja britanike.

Pasi ka shtuar se ka shtuar se kanë biseduar edhe për çështjet e sigurisë rajonale duke përfshirë edhe Sirinë, ajo ka theksuar se kanë punuar së bashku në luftën kundër DEASH-it në Siri dhe për formimin e kushteve të nevojshme për paqen.

Ndër të tjera May ka shprehur falënderimet Turqisë për strehimin e 3 milionë sirianëve, dhe ka vënë në dukje se në këtë çështje edhe vendi i saj bën atë që ka mundësi.

Duke theksuar se sot kanë nënshkruar një marrëveshje rreth bashkëpunimit për avionin e ri luftarak kombëtar të Turqisë, May tha se përveçse kjo është më shumë se vetëm një marrëveshje tregtare, por gjithashtu kjo tregon edhe një partneritet strategjik më të thellë në çështjen e rritjes së sigurisë.

BDI ende e pavendosur për koalicionin qeveritar

Selia e BDI në Tetovë

 

Drejtuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim nuk arritën as në ditën e dytë të takimit që të marrin vendim se me cilën prej dy partive maqedonase do të hyjnë në koalicion qeveritar.

Afati për formimin e qeverisë nga i mandatuari Nikolla Gruevski përfundon të dielën në mesnatë. Zgjedhjet e 11 dhjetorit që synonin dhënien fund krizës politike dy vjeçare, nuk duket se e arritën qëllimin.

Brenda Bashkimit Demokratik për Integrim nuk po mund të zgjidhet dilema: A të vazhdojë koalicioni qeveritar me VMRO-DPMNE-në, apo t’i jepet fund këtij partneriteti nëntëvjeçar, për të hyrë në një qeveri me Lidhjen Social Demokrate (LDM). Takimi i zotit Ahmeti me nënkryetarët e partisë dhe zyrtarë të tjerë të lartë të shtunën deri vonë në mbrëmje nuk rezultoi me një vendim.

Z. Ahmeti u tha gazetarëve se “po analizohen të gjitha opsionet për një vendim sa më të mirë për shqiptarët dhe të të gjithë të tjerët në Maqedoni”. Pesë opsionet e BDI-së janë: kalicioni me VMRO-në, koalicioni me LSDM-në, një qeveri teknike, qëndrimi në opozitë dhe zgjedhje të reja. Takimi do të vazhdojë të dielën.

LSDM ka shkaktuar pakënaqësi tek partia shqiptare për shkak se i shkëputi jo vetëm asaj dhjetra mijë vota shqiptarësh në zgjedhjet e 11 dhjetorit.

Ndërkohë, në opinionin publik është krijuar përshtypja se një pjesë e partisë e kundërshtojnë koalicionin qeveritar me VMRO-në, për dallim nga Ali Ahmeti dhe disa bashkëpunëtorë të tij të ngushtë të cilët duan ta vazhdojnë qeverisjen me këtë parti djathtiste maqedonase.

Por, nëse ndodh kjo e fundit, shumë analistë parashikojnë rënien e shpejtë të ndikimit të BDI-së tek elektorati shqiptar, tani që vendi përgatitet për zgjedhje vendore.

Një krah i BDI-së me zotin Ahmeti në krye si opsion të parë kanë parimin ‘fituesi me fituesin’, që është bërja e qeverisë midis fituesve tek dy blloqet më të mëdha etnike, maqedonasit dhe shqiptarët. Por kjo nuk është kategori kushtetuese, megjithëse është praktikuar në Maqedoni në të shumtën e rasteve, përjashto periudhën 2006-2008.

Mandatari për formimin e qeverisë së Maqedonisë, Nikolla Gruevski (VMRO-DPMNE) ka afat deri të dielën në mesnatë për formimin e kabinetit. Në të kundërt, ai duhet ta kthejë mandatin, ndërsa ajo që është shumë e diskutueshme në qarqet e ekspertëve ligjorë është se kujt duhet presidenti i vendit t’ia japë mandatin më pas.

Disa nuk e përjashtojnë mundësinë që mandati t’i jepet një përfaqësuesi tjetër të VMRO-DPMNE-së, si parti që doli me numër më të madh deputetësh, 51 gjithsej. Ndërsa, të tjerë janë kategorik se nëse Gruevski nuk e formon dot qeverinë, mandati duhet t’i kalojë partisë së dytë më të madhe, në këtë rast Lidhjes Social Demokrate.

Nga burime brenda partive thuhet se VMRO-ja mund të pajtohet me dhënien e pozitës së kryetarit të Parlamentit BDI-së, eventualisht dhe ministrinë e Financave si nga më të rëndësishmet dhe të hapë debat mbi ligjin ekzistues mbi përdorimin e gjuhës shqipe.

Ndërkaq, ka zëra se VMRO-ja po ashtu mund të bie dakord që mandati për formimin e qeverisë t’i kalohet Nikolla Poposkit, aktualisht ministër i jashtëm, për të plotësuar kështu kërkesën e partive shqiptare që personat e dyshuar nga Prokuroria e posaçme për vepra kriminale të mos jenë pjesë e qeverisë së re. Por, asnjë prej palëve nuk ka folur publikisht në lidhje me të gjithë këto spekulime.

Zgjedhjet e 11 dhjetorit synonin t’i japin fund krizës politike dyvjeçare që shpërtheu pas skandalit të përgjimeve në masë, të politikanëve, zyrtarëve të lartë qeveritarë, biznesmenëve e gazetarëve, por nga gjendja e krijuar pas zgjedhjeve nuk duket se intensiteti i krizës do të ulet.

Kryeministrja britanike mbërrin në Turqi

Kryeministrja May e cila ka mbërritur në aeroportin Esenboğa të Ankarasë në orën 11.05 me orën lokale, do të pritet nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan në rezidencën presidenciale

ANKARA – Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, ka mbërritur sot në Ankara, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Turqi. Kryeministrja May e cila ka mbërritur në aeroportin Esenboğa të Ankarasë në orën 11.05 me orën lokale, do të pritet nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan në rezidencën presidenciale.

Ndërsa më pas May do të pritet me një ceremoni zyrtare në rezidencën Çankaya nga kryeministri turk Binalı Yıldırım, ku pas takimit do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Ajo do të marrë pjesë edhe në darkën që do të shtrohet për nder të saj. AA

Nikoliçi kërkon nga Trumpi të tregojë se çfarë qëndrimi ka për Kosovën

“Le të mendojnë në administratën e re dhe le të thonë se çfarë mendojnë për Kosovën. Nëse mendimi është në përputhje me dëshirën tonë ose nëse ndeshemi të paktën diku në ato dëshira, atëherë do ta pranoj çdo këshillë të SHBA”, ka thënë kryetari serb Tomisllav Nikoliçi

Ai pret që presidenti i ri i SHBA-së Donald Trump të ndalë luftërat dhe konfliktet verbale, të cilat, sipas tij i ka nisur administrata para tij, transmeton Koha.net

Në një intervistë për TV portugez, transmeton FoNet, i pyetur për politikën e SHBA për Kosovën, Nikoliq ka theksuar se pret që administrata e re të deklarohet, ndërsa mendon se administrata e shkuar ka bërë shumë probleme që Trumpit mund t’ia lidhin duart.

“E di se nuk do të jetë aq keq siç ka qenë e keqe administrata e shkuar. Edhe po ta bëjë më së keqi atë që e flet, administrata e Donad Trumpit, ajo kurrë nuk do të jetë më e keqe se ajo që do ta bënte Hillary Clinton”, ka thënë Nikoliq.

“Nuk mundet Amerika t’i u thotë serbëve e shqiptarëve: Bëjuni të mirë dhe bisedoni si ka hije nëse i vë sanksione Rusisë. Nuk mundet Amerika të jetë arbitri kryesor kush si guxon të sillet në botë”, ka shtuar kryetari serb.

Në këtë intervistë Nikoliq i ka dërguar ultimatum SHBA-së: Le të mendojnë në administratën e re dhe le të thonë se çfarë mendojnë për Kosovën. Nëse mendimi është në përputhje me dëshirën tonë ose nëse ndeshemi të paktën diku në ato dëshira, atëherë do ta pranoj çdo këshillë të SHBA.

Ai, duke shpresuar ka marrë fund njohje e mëtejme e shtetit të Kosovës ka folur për marrëveshjet n e Brukselit e cila, sipas tij, kishte paraparë që të gjitha kompetencat që Beogradi ia paska dhënë Prishtinës, Prishtina t’ia japë Asociacionit të Komunave serbe.

“12 mijë rekrutë shqiptarë shërbejnë në ushtrinë greke”

Gazetari shqiptar në Athinë, Robert Goro, tha se përllogaritet që të jenë të paktën 12 mijë fëmijë emigrantësh shqiptarë që kryejnë shërbimin ushtarak grek, që është 9 muaj.

Duke folur për deklaratat e Ministri të Mbrotjes grek, Panos Kamenos, i cili kërkoi dënimin maksimal për shtatë rekrutët me origjinë shqiptare, të cilët u fotografuan duke bërë me duar simbolin e shqiponjës, Goro u shpreh ato nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje të tij për të fituar elektorat, duke shfrytëzuar retorika nacionaliste.

“Dashje pa dashje ata janë bërë pjesë e një teorie konspirative, që Ministri aktual i Mbrojtjes i ka jashtëzakonisht për shtat, duke parë edhe kuotat në rënie të partisë së tij politike, që në çdo moment, të vejë në dukje vokacionin patriotik që shkon gati gati në nacoinalizëm. Kjo është edhe aryesja përse e ka rrokur këtë ngjarje, në kohën që partia kryesore e qeverisëse, Syriza ka mbajtur një qëndrim totalisht të kundërt.”, tha ai në një lidhje telefonike me emisionin “Opinion”.

I pyetur për kërkesën e Nënkryetarit të partisë Demokracia e Re, për një seancë parlamentare – interpelancë me Ministrin e Mbrojtjes dhe krerët e tjerë të sigurisë së vendit, Goro tha se një kërkesë e tillë është e vërtetë, por nuk bëhet fjalë për një seancë të jashtëzakonshme, por për një interprelancë.

Goro tha se kjo fotografi në vetvete nuk përfaqëson asgjë tendencioze, por janë segmente të caktuara në Greqi të cilët kërkojnë që “t’i hedhin benzinë zjarrit”.

“Duhet thënë që kjo ngjarje ka shërbyer për të ringjallur edhe njëherë nacionalizmin. Që në momentin e parë ajo pjesë që përpiqet t’i hedhë benzinë zjarrit menjëherë tentoi për ta parë si një mënyrë për të nxitur nacionalizmin, ndërkohë që gjithë pjesa tjetër kanë pasqyruar opinione shumë më të hapura, këta i përkasin atyre që e kanë marrë me sportivitet. Fatkeqësisht opinion është i ndarë mëdysh”.

Goro, tha gjithashtu se si gazetar nuk e dinte sesi mund të argumentohej bërja e një shenje që përbën vepër penale dhe rrezik integriteti, megjithatë këtë e ka në dorë drejtësisa.

Fotografia e 7 ushtarëve me origjinë shqiptare e shkrepur brenda repartit ushtarak në Mesologji të Greqisë, shkaktoi një furtunë të vërtetë përgjatë javës që lamë pas, duke tensionuar sërish marëdhëniet mes dy vendeve.

“Fotot me shqiponjën shqiptare” acarojnë fqinjin jugor, Greqia mbledh Kuvendin në seancë të jashtëzakonshme

Çështja e rekrutëve me origjinë shqiptare në ushtrinë greke, që pozuan me simbolin e shqiponjës, tashmë ka kaluar edhe në nivel parlamentar në Athinë. Media ka siguruar ekskluzivisht kërkesën për interpelancë që nënkryetari i partisë më të madhe opozitare “Nea Demokracia”, Adonis Georgiadis ka kërkuar me tre ministra, atë të Mbrojtjes, të Drejtësisë dhe të të Drejtave të Njeriut.

Referuar mediave greke, “BW” raporton se kërkesa e tij është pranuar dhe se Parlamenti grek do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje. Në letrën e tij zyrtari i lartë i opozitës greke, shpreh hapur shqetësimin se prapa gjesteve të rekrutëve shqiptarë fshihet një lëvizje e mirëorganizuar nacionaliste që sipas tij tenton të cënojë rendin dhe sigurinë në Greqi.

Referuar letrës së Georgiadisit, thuhet shprehimisht se “gjesti i ushtarëve të rinj, publikuar në foto me duart e tyre që formonin shqiponjën shqiptare me dy koka është një praktikë që ne si shtet duhet të na detyrojë të investigojmë më thellë, në kërkim të strukturave paralele brenda shtetit.

Trajtimi i përkorë dhe i matur i kësaj çështjeje është i domosdoshëm dhe ministritë duhet të hetojnë nëse fenomeni është nxitur nga forca të organizuara, të cilat tejkalojnë ‘mburojat’ nacionaliste dhe përpiqen të cënojnë sigurinë tonë dhe integritetin tonë territorial”, – shkruan numri dy i “Nea Demokracia”-­s.

Ai gjithashtu, shprehet se rasti i ushtarëve shqiptarë nuk është një fenomen i izoluar por një përpjekje e përsitur sipas tij për të destabilizuar Greqinë, duke marrë si shembull ndalimin e dy shoferëve të MPJ­-së shqiptarë që transportonin libra dhe abetare me “Shqipërinë e Madhe”.

Ndaj dhe në kërkesën e tij për interpelancë me tre ministra, Gergiadis shton “kërkoj nga ju, çfarë hapash do të merrni për të dhënë përgjegjësitë administrative dhe penale? Sa rekrutë shqiptarë pranohen çdo vit në ushtrinë greke? A keni planifikuar të hetoni nëse veprimet e mësipërme janë të nxitura nga forca të mirëorganizuara?”, – janë pyetjet që ai ka shtruar në kërkesën e tij për interpelancë.

Por ndryshe nga sa pritej dhe referuar praktikave të mëparshme kur ministrat e qeverisë Tsipras kanë refuzuar t’iu përgjigjen menjëherë kërkesa të opozitës kësaj rradhe ka ndodhur ndryshe. Referuar axhendës së punimeve të Parlamentit të Greqisë kjo çështje është futur me urgjencë për seancën e rradhës plenare dhe siç bëjnë të ditur mediat greke të tre ministrat kanë pranuar të përgjigjen edhe zyrtarisht për këtë çështje.

Ky rast dëshmon edhe njëherë se pavarësisht ndasive politike, mazhoranca dhe opozita në Greqi bashkohen sa herë për diskutim shtrohen çështje me karakter nacionalist, veçanërisht në raportet me Shqipërinë dhe Turqinë.

Ivaniç: Ripërtëritja e padisë së Bosnjës kundër Serbisë çon në krize të re

Një pjesë e politikanëve boshnjakë po përpiqen të ripërtërijnë padinë kundër Serbisë, kundër së cilës jam unë dhe të gjithë politikanët nga radhët e popullit serb por edhe ata kroatë, tha Ivaniç në Beograd

BEOGRAD – Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Mladen Ivaniç sot në Beograd deklaroi se padia kundër Serbisë, të cilën “dëshirojnë të ngrenë një pjesë e politikanëve boshnjakë” mund të jetë burim i tensioneve të reja.

“Tensione tjera dhe më shumë nga ato që ekzistojnë. Para së gjithash, një pjesë e politikanëve boshnjakë janë duke u përpjekur që të ripërtërijnë padinë kundër Serbisë, kundër së cilës jam unë dhe të gjithë politikanët nga radhët e popullit serb, por edhe ata kroat, dhe mendoj se kjo mund të çojë drejt një krize të re”, tha Ivaniç.

Ai shtoi se të gjithë e kanë të qartë se “Bosnjë e Hercegovina si shtet nuk qëndron prapa kësaj padie”.

I pyetur që të tregojë se cilët politikanë konkretisht duan ripërtëritjen e padisë së BeH-së kundër Serbisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Ivaniç tha se kryesisht këta janë “politikanët boshnjakë”.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në shkurt të vitit 2007, refuzoi padinë e BeH-së kundër ish Republikës Federale të Jugosllavisë, konkretisht Serbisë, për agresion dhe gjenocid, si të pabazë.
Ky vendim i jep BeH-së mundësinë që brenda dhjetë viteve të fillon procedurë të rishikimit, nëse brenda kësaj periudhe mund të mbledhë dhe të paraqesë prova të reja me të cilat mund të dyfishojë padinë. Afati për fillimin e procedurës së rishqyrtimit përfundon në shkurt 2017.

Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitarović dhe ish Presidenti i Kroacisë Stjepan Mesić bëjnë shqiponjën me duar! Zoti i bekoftë!

“Edhe fqinjet tane e respektojne Shqipen, Shqiperine dhe Shqiptaret”, shkruan Jeton Kelmendi, “e disa te ashtuquajtur Analistë duan ta shpikin kombin kosovar. Shih Presidentja Kroate Kolinda Grabar-Kitarović, ish Presidenti Stjepan Mesić dhe shume tjere nderojne flamurin me te bukur ne Bote, duke bere Shqiponjen me duar. Faleminderit Kroate, Zoti e bekofte Shqipen dhe Shqiptaret ne nje Shqipni etnike siç e ka krijuar Perendia” Zoti ju bekoftë edhe ju Miq të nderuar të shqiptarëve !”, përfundon Jeton Kelmendi.

 



Send this to a friend