VOAL

VOAL

Çedomir Jovanoviç: Kosova barrë e madhe për Serbinë

Hapja e dy kapitujve të rinj në rrugën e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian përbën një hap pozitiv drejt anëtarësimit të plotë në BE.

 

Kështu ka deklaruar kryetari i Partisë Liberal Demokratike të Serbisë Çedomir Jovanoviç, transmeton Klan Kosova. Ai gjithashtu ka deklaruar se është e qartë se problemi i hapur i Kosovës është një barrë në rritje për vendin e tij.

Jovanoviç ka thënë në një deklaratë se mesazhi që kanë marrë në Bruksel sugjeron se, pavarësisht dy kapitujve të hapur, ka pakënaqësi me marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Prishtinës “si rezultat i vonesave në negociatat dhe mungesës së zgjidhjeve konkrete.”. Ai beson se presioni i vendeve udhëheqëse në Evropë po rritet për të zgjidhur këto çështje sa më shpejt që të jetë e mundur./Klan Kosova.

BE do të hapë kapitujt e rinj me Malin e Zi dhe Serbinë

Flamuri i Bashkimit Evropian, foto nga arkivi

Bashkimi Evropian pritet të hapë sot kapitujt e rinj në negociatat me Malin e Zi dhe Serbinë, duke u afruar më tutje drejt anëtarësimit të këtyre vendeve në BE.

Mali i Zi do të hapë “kapitujt e rinj të negocitatave”, lidhur me lirinë e lëvizjes për punëtorët.

Kjo do të sjellë në 30 nga 33 numrin e kapitujve të hapur deri tash në mes të Podgoricës dhe Brukselit.

Tre kapitujt e tjerë tashmë janë negociuar ose janë mbyllur.

Serbia ndërkaq do të hapë kapitujt për ligjin dhe marrëdhëniet e jashtme.

Deri tash ky vend ka hapur 12 kapituj, ndërsa dy prej tyre janë mbyllur tashmë.

Serbia dhe Mali I Zi janë vendet e Ballkanit që kanë më së shumti mundësi t’i bashkohen BE-së.

Qendra humanitare ruse baza destabilizuese në Ballkan

Në mediat ndërkombëtare një zë të veçantë zuri lajmi i publikuar nga agjencitë shtetërore ruse ku theksohet se Vladimir Putin ka firmosur dekretin për modernizimin e armatimit të flotës detare dhe ushtrisë ruse.

Ky veprim sipas analistëve gjeopolitik vjen menjëherë pas urdhërit të Putinit të mes Nëntorit 2017 ku kërkoi angazhimin e përfaqësive diplomatike në Ballkan dhe shprehu gatishmërinë për rritjen e numrit të punonjësve të përfaqësive në Maqedoni, Shqipëri, Slloveni, Kroaci.

Sipas të përditshmet italiane “Il Mondo”: “Putin kërkon urgjentisht aktivizimin e qendrës së spiunazhit rus në Serbi”dhe dërgimin e trupave ruse në zonën në kufi me Kosovën dhe Selinë e Forcave të SHBA.

Sipas analistit italian Prof.Segui Rusia në Balkan i ka shtuar forcat e saj speciale dhe në veçanti agjentët sekretë.

Anëtarët e shërbimeve sekrete të inteligjencës ruse GRU, SVR dhe FSB realizuan mbledhjen e jashtëzakonshme në Qendrën e Drejtimit të Operacioneve sekrete me Seli në Beograd.

Në këtë takim të nivelit të lartë mendohet se morën pjesë përfaqësues të GRU dhe SVR të qendrës së 2 më të madhe në Rajon me Seli në Sofie dhe përfaqësuesit e Qendrës së spiunazhit me seli në Vienë-Austri. Menjëherë pas takimit u shpërndanë në internet informacione që kritikojnë aksionet e ndërmarra nga diplomatët rus të Shqipërisë, Maqedonisë, Sllovenisë dhe përfaqësitë në Kosovë e Mal të Zi.

Mbledhja e Nëntorit mblodhi në Beograd jo vetëm diplomatët rus të ambasadave në vendet e Ballkanit por me urdhër presidencial duket se morën pjesë edhe disa gazetarë të Sputnik, RussiaToday, Russkimir si dhe drejtuesit e shoqatave të bashkëatdhetarëve pasi Presidenti Putin e konsideron Ballkanin akoma objektiv të Rusisë.

Në datë 21 Nëntor 2017 në hotel Ambasador në Serbi dhe në Mal të Zi u mblodhën për 3 ditë rresht përfaqësuesit e Qendrave “humanitare” ruse të ardhur nga Viena, Sofia dhe u takuan në Serbi.

Situata në Lindjen e mesme nuk po zhvillohet sipas parashikimeve të Moskës dhe kjo në vazhdën e përpjekjeve për të kontrolluar vendet e Ballkanit ku futet Shqipëria, Mal i Zi, Maqedonia konsiderohet nga specialistët gjeopolitikanët si strategjia e re e joshjes së pushtetarëve nga diplomatët rus.

Për këtë plan të ri do është rritur edhe fondi specifik i miratuar me dekret presidencial ku Shqipëria dhe vendet e Ballkanit do të jenë vende ku do të investohet para, burimi i të cilave nuk dihet.

Buxheti rus pritet të miratohet në fund të vitit 2017 dhe ekonomisët nuk e arsyetojnë dot këtë manovër të Moskës por e shohin si orvatjen e fundit të tyre për të mos humbur Shqipërinë dhe betejën me Ballkanin dhe SHBA.

Pas takimit të krerëve të Inteligjencës ruse në Balkan filluan lëvizjet në ambasadat ruse në Mal të Zi, Kroaci, Slloveni, Maqedoni dhe në Shqipëri. Ish agjentët e dëbuar me vendim të Presidentit Putin do të zëvendësohen nga agjentë të rinj të zgjedhur nga Këshilli i përzgjedhjes në Moskë. Agjentët e rinj janë përzgjedhur për tu infiltruar në radhët e gazetarëve që shquhen për lidhjet me Sputnik dhe RussiaToday. Po ashtu, Putin duket se ka udhëruar zëvendësimin e ambasadorit rus në Tiranë Alexandër Karpushin për përformancë shumë të dobët.

Këto mendohet se janë përpjekjet e dëshpëruara të Moskës për të tentuar rritjen e influencës ruse në Ballkan dhe për të dhënë një mësim shërbimeve sekrete për të cilët nuk është i kënaqur me punën e kryer sidomos në Ballkan dhe në Shqipëri./Faktori.al

Presidenti turk viziton Greqinë

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan foli sot mbi nevojën e rishikimit të një traktati të vitit 1923, i cili ndër të tjera përcakton kufijtë e Turqisë me fqinjët e saj.

Komentet e tij u bënë gjatë një takimi me presidentin grek Prokopis Pavlopulos, në fillim të një vizite dy ditore në Athinë.

Presidenti grek Pavlopulos e hodhi poshtë sugjerimin e zotit Erdogan, duke thënë se Traktati i Lozanës nuk ka nevojë “as për ndryshim, as për rishikim”.

Presidenti Erdogan ngriti dhe çështjen e turqve etnikë që jetojnë në Greqi, duke shprehur dyshime në se ata gëzojnë lirinë për të ushtruar besimin e tyre, duke përmendur pakicën myslimane që jeton në krahinën e Trakës.

Pritet që nesër udhëheqësi turk të zhvillojë një vizitë në këtë zonë.

Zoti Erdogan është presidenti i parë turk që bën një vizitë zyrtare në Greqi prej dekadash.

Akademia e Serbisë: Nuk heqim dorë nga Kosova për asnjë çmim

Historiani dhe akademiku serb, Vasilije Krestic ka thënë se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë nuk do të heqë dorë nga Kosova për çfarëdo lloj çmimi.

“Në këndvështrimin tim Akademia do të qëndrojë në pikën ku nuk do t’i çoj duart nga Kosova dhe Metohija për asnjë çmim. Nuk ka një njohje formale të shtetit të vetëshpallur nga shqiptarët në Kosovë”, ka thënë anëtari i kësaj akademie për një radio beogradase, transmeton lajmi.net.

Krestic ka shtuar se Kosova është pjesë integrale e Serbisë dhe është një ‘vijë e kuqe’ mbi të cilën nuk mund të kapërcehet.

Sipas tij, lufta që populli serb në Kosovë të ketë një status normal duhet të vazhdojë.
“Nëse luftojmë kudo për demokraci atëherë nuk duhet të lejojmë dhunë kundër serbëve në Kosovë, kjo dhunë është në çdo hapë dhe nuk po ndalet. Ka shumë gjëra që duhet t’i luftojmë”, ka përfunduar Krestic.

Fjalët e amerikanëve sipas Daçiq: Marrim pjesë në dialog nëse pajtohen Kosova dhe Serbia

Dacic ka qëndruar këto në ditë Uashington, bashkë me ministrat e rajonit. Atje, sipas tij, i kanë thënë që SHBA s’ka propozuar që të jetë pjesë e dialogut në Bruksel. Por, sipas tij, amerikanët kanë thënë se do të jenë pjesë e dialogut nëse pajtohen palët.

“Atë që po e flasin Thaçi e Haradinaj e ka demantuar administrata amerikane. Madje edhe në bisedime me Federica Mogherinin ata i thanë asaj se nuk qëndrojnë pas deklaratave të tyre”, ka thënë Daçiq.

Ai ka shtuar se zyrtarët amerikanë kanë thënë se ”nuk ikin nga kjo, porse kjo duhet të jetë çështje konsensusi dhe e propozimit të përbashkët”.

“Asambleja e Përgjithshme e ka transferuar dialogun Beograd- Prishtinë në nivelin europian dhe çdo ndryshim i ri formati do të kuptonte format të ri bisedimesh, e është e sigurt se edhe Serbia do të kishte kë ta propozonte anëtarë të rinj e që nuk janë pjesëtarë të Bashkimit Europian”, ka thënë ai për “Zërin e Amerikës”.

I pyetur se kë do ta ftonte Serbia në dialog, Dacic ka aluduar në Rusinë.

“Dikë që do të ishte në anën tonë” ka thënë ai.

Ai ka shtuar se gjatë bisedave me zyrtarë amerikanë ka insistuar që të gjendet “minimumi i interesave të përbashkëta” e të mos krijohet imazhi se SHBA-ja dhe vende të tjera perëndimore kanë interesa të tjera nga ajo që ka Serbia.

“Po ashtu edhe roli i vendeve të tjera perëndimore ka qenë që të mos bëhet presion ndaj Serbisë ta njohë Kosovën, por që të arrihet te zgjidhja e pranueshme për të dy palët që do të respektonte interesat e serbëve e të shqiptarëve në Kosovë”, ka thënë Daçiq

Rriten tensionet Kroaci-Serbi pas vendimit të Gjykatës së Hagës

“Praljak zgjodhi të vdiste dhe jo të jetonte si i burgosur i dënuar për krime që nuk i ka kryer. Kroacia nuk sulmoi askënd. Përkundrazi, mbështeti unitetin e Bosnjës. Sulmuesit ishin ushtritë serbe dhe jugosllave të udhëhequra nga Millosheviçi”

BEOGRAD – Një mosmarrëveshje e re mes Kroacisë dhe Serbisë ka shpërthyer pas vdekjes së papritur të të dyshuarit kroat për krime lufte, Slobodan Praljak, i cili ditën e djeshme piu helm në Gjykatën e OKB-së në Hagë.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) dje dënoi një grup prej gjashtë kroatëve të Bosnjës e Hercegovinës (BeH) nga Lufta e Bosnjës në periudhën 1992 – 1995, gjithsej me 111 vjet burg.

Njëri nga grupi i të dënuarve, ish-gjenerali Slobodan Praljak, u ngrit në këmbë, refuzoi dënimin dhe piu helm nga një shishe e vogël. Më vonë, në Gjykatën e Hagës u konfirmua se Praljak kishte vdekur në spital.

Këshilli i Apelit gjithashtu konfirmoi edhe një herë se presidenti i atërhershëm kroat, Franjo Tudjman, gjatë Luftës së Bosnjës bashkoi forcat me forcat kroate në vend me një “iniciativë të përbashkët kriminale”.

Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç, sot tha se vendi i saj nuk ka sulmuar askënd, duke fajësuar forcat serbe në vend.

“Praljak zgjodhi të vdiste dhe jo të jetonte si i burgosur i dënuar për krime që nuk i ka kryer. Kroacia nuk sulmoi askënd. Përkundrazi, mbështeti unitetin e Bosnjës. Sulmuesit ishin ushtritë serbe dhe jugosllave të udhëhequra nga Millosheviçi”, tha Kitaroviç.

Ajo shtoi se është “e padrejtë” që boshnjakët dhe serbët nuk u dënuan për sulme ndaj kroatëve të Bosnjës.

Megjithatë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se ishte e lehtë për të gjithë të fajësojnë serbët kur flasin për luftën, duke shtuar se askush nuk ishte dënuar për krime kundër serbëve. aa

Shqipëria merr kryesimin e grupit të Detit të Zi

Asambleja e Përgjithshme e PABSEC-së do të mbahet mes datës 19 dhe 21 qershor të vitit të ardhshëm në Tiranë

KIEV – Ukraina i ka dorëzuar Shqipërisë kryesimin me rotacionin gjashtëmujor të Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEC).

Në fund të seancës së 55-të plenare të PABSEC-it të mbajtur në Kiev, presidenti i Kuvendit të Ukrainës, Andriy Parubii ia kaloi kryesimin Tiranës.

Asambleja e Përgjithshme e PABSEC-së do të mbahet mes datës 19 dhe 21 qershor të vitit të ardhshëm në Tiranë.

Vendet anëtare të PABSEC-së janë Shqipëria Turqia, Rumania, Armenia, Bullgaria, Gjeorgjia, Moldavia, Rusia, Serbia, Ukraina dhe Greqia.

Asambleja PABSEC-së, siguron bazën ligjore për bashkëpunimin ekonomik, tregtar, social, kulturor dhe politik ndërmjet vendeve anëtare.

Shkup: Arrestime të tjera për ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në parlament

Policia maqedonase me urdhër të Prokurorisë publike ka ndaluar ish-ministrin e brendshëm dhe ish-drejtor i Byrosë për siguri publike Mitko Çavkov dhe deputetët e VMRO-DPMNE-së Kërsto Mukovski, Zhaklina Stefanovska si dhe disa persona të tjerë në lidhje me ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në parlamentin e vendit.

Ministria e punëve të brendshme nuk ka dhënë më shumë hollësi për këtë veprim, ndërsa ka paralajmëruar se për këtë do të njoftojë gjatë ditës.

Mitko Çavkov, si zyrtar kompetent policor gjatë trazirave të 27 prillit nuk kishte komanduar dërgimin me kohë të forcave shtesë të policisë për të mbrojtur institucionin më të lartë ligjvënës dhe deputetët e rrezikuar brenda tij. Sipas ish-ministrit të brendshëm Agim Nuhiu, z. Çavkov nuk i ishte përgjigjur thirrjeve të tij telefonike.

Ndërkaq, deputeti Kërsto Mukovski duket në një filmim nga regjistrimet e shërbimit të parlamentit duke hapur dyert e hyrjes kryesore të parlamentit për të hyrë turma e njerëzve, të cilët sulmuan fizikisht deputetët brenda.

Në këto ngjarje më së keqi pati pësuar Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët dhe Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social Demokrate, aktualisht kryeministër i Maqedonisë.

Disa persona ndodhen tashmë në paraburgim prej para pak muajsh nën akuzat për tentim vrasjeje ndaj z. Sela.

Greqi: Bllokohet skafi që u nis nga Shqipëria me rreth 2 tonë marijuanë

Roja bregdetare greke tha se u përfshi në një operacion për goditjen e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të marijuanës.

Burimet greke flasin për bllokimin e një sasie të madhe marijuane prej gati 2 tonësh dhe për arrestimin e tre skafistëve, dy shqiptarë dhe një Italian, që ndodheshin në bordin e një motoskafi super të shpejtë me tre motorë.

Burimet paraprake greke flasin se mjeti dyshohet se u nis nga Shqipëria pasditen e së premtes dhe ngarkesa ishte destinaur për në Greqi dhe në Itali. Sipas mjeteve greke të informimit Autoritetet portuale të Detit Jon filluan ndjekjen në Veri të ishullit grek të Korfuzit fqinj me Shqipërinë.

Sipas burimeve greke operacioni që filloi nga ujërat e Detit Jon mbërriti më pas në ujërat e Egjeut në një zonë detare të hapur. Gjatë operacionit krahas anijeve të marinës greke u angazhuan edhe forcat ajrore me elikopterë. Burimet greke flasins se pas ndalimit të skafit u kryen edhe arrestime të tjera në rrugë tokësore në zonat pritëse të sasive të marijuanës.

Ja pse Sofja këmbëngul për njohjen e pakicës kombëtare bullgare në Republikën e Kosovës

Bullgaria ka shtuar përpjekjet e saj për njohjen e pakicës kombëtare bullgare në Republikën e Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur në një intervistë për Radion Kombëtare Bullgare, kryetari i Agjencisë Shtetërore për Bullgarët Jashtë Shtetit, Petër Harallampiev.

Sipas tij, pas suksesit historik lidhur me njohjen e minoritetit bullgar në Shqipëri, që ndodhi një muaj më parë, në kohë të afërt kjo mund të bëhet fakt edhe në Kosovë, ku supozohet se jetojnë afër 50 mijë pjesëtarë të komunitetit bullgar.

Pas 65 vitesh një President i Turqisë viziton Greqinë

ANKARA – Zëvendëskryeministri i Turqisë Hakan Çavuşoğlu tha se presidenti i këtij vendi Recep Tayyip Erdoğan do të jetë presidenti i parë turk i cili do të vizitojë Greqinë pas 65 vitesh.

Duke folur për vizitën e cila do të realizohet gjatë ditëve në vijim, Çavuşoğlu tha se “Kemi tre projekte konkrete. Njëri prej tyre është ekspedita e trageteve për transportin e njerëzve dhe mallrave nga Izmiri në Selanik. Projekti i dytë ndërtimi i linjës së trenit të shpejtë nga Stambolli për në Selanik dhe i treti ndërtimi i urës në portat doganore Kipi dhe Ipsala”.

Çavuşoğlu tha se vizita e presidentit Erdoğan në Greqi do të ngritë marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy vendeve në një nivel më të mirë.

Ai bëri të ditur se në fillim të këtij muaji edhe ai vetë ka vizituar Komotinin, që është vendlindja e tij. Çavuşoğlu tha se në kuadër të vizitës së tij ka zhvilluar kontakte në Athinë dhe në Thrakinë Perëndimore.

“Nuk mund ta ndryshojmë të vërtetën se jemi fqinj”

“Nuk mund ta ndryshojmë të vërtetën se Greqia dhe Turqia janë fqinj”, tha Çavuşoğlu duke theksuar nevojën për zhvillimin e bashkëpunimit i cili do të mundësojnë forcimin e dy shteteve në aspektin e marrëdhënieve fqinjësore si dhe për rritjen e standardeve jetësore të popullit.

Sipas tij, në muajin shkurt në Selanik do të realizohet Takimi i Nivelit të Lartë për Bashkëpunimin Strategjik.

“Mendoj se kjo vizitë do të ketë rezultate shumë të rëndësishme”

Lidhur me vizitën të cilën presidenti Erdoğan do të realizojë në Greqi, Çavuşoğlu tha se “Presidenti do ta vizitojë Greqinë si një president i Republikës së Turqisë për herë të parë pas 65 vitesh. Mendoj se se kjo vizitë do të ketë rezultate shumë të rëndësishme. Gjatë vizitës sime në rajonin e Thrakisë Perëndimore, ne u pritëm me një dashamirësi të madhe nga bashkatdhetarët tanë në Komotini dhe Ksanthi. Kjo është sigurisht një emocion që buron nga prania e presidentit tonë, i cili gjithmonë mendon për ata dhe zemra e të cilit rrah për ta. Ky është një emocion i cili buron nga ajo që shohin se një Turqi 80 milionëshe është pranë tyre”.

Seancë e përbashkët e qeverive të Maqedonisë dhe Bullgarisë

Kjo është seanca e parë ndërqeveritare që e mban Qeveria e kryeministrit Zaev me qeverinë e shtetit fqinj. Në dhjetor në Pogradec është dakorduar edhe seancë e përbashkët qeveritare midis Shqipërisë dhe Maqedonisë

SHKUP – Sot në Shtëpinë e ARM-së në Strumicë do të mbahet seanca e parë e përbashkët mes qeverive të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë, ku pritet të firmosen disa marrëveshje dhe memorandume.

Seanca do të fillojë me bisedime në katër sy mes dy kryeministrave ku do të vijojë seanca plenare.

Qeverinë e Maqedonisë e përfaqësojnë kryeministri Zoran Zaev, zëvendëskryeministrat Bujar Osmani, Koço Agjushev si dhe ministrat Oliver Spasovski, Radmilla Shekerinska, Nikolla Dimitrov, Goran Sugarevski, Lupço Nikollovski, Damjan Mançevski, Suhejl Fazliu, Sadulla Duraku, Kire Naumov dhe Dragi Rashkovski.

Nga ana bullgare në seancë do të marrin pjesë zëvendëskryeministrat Tomisllav Donçev, Krasimir Karakaçanov dhe Eketarina Zaharieva, ministrat Valentin Radev, Nikollaj Nankov, Neno Dimov, Rumen Porozhanov, Ivajlo Moskovski, Emil Karanikollov, Temenuzhna Petkova dhe Nikolna Angellkova.

Në këtë seancë të përbashkët qeveritare mes Maqedonisë dhe Bullgarisë pritet të nënshkruhen nëntë dokumente për bashkëpunim dypalësh në fushën e politikës së jashtme, investimeve, energjetikës, mbrojtjes, turizmit, telekomunikimeve, infrastrukturës dhe për reagime gjatë katastrofave natyrore.

Gjatë seancës duhet të nënshkruhet edhe memorandum për mirëkuptim mes Ministrisë së Transportit, Teknologjisë Informatike dhe Komunikimit të Bullgarisë dhe Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës së Maqedonisë për uljen e tarifave ndërkombëtare për roaming për shërbime të telekomunikimeve, që e aprovuan dje qeveritë e të dy vendeve.

Marrëveshjet janë pjesë e përmbushjes së Marrëveshjes për miqësi, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë të nënshkruar më 1 gusht të këtij viti në Shkup.

Është paraparë konferencë e përbashkët për media të dy kryeministrave Zoran Zaev dhe Bojko Borisov.

Para fillimit të seancës plenare kryeministrat Zaev dhe Borisov do të vendosin lule para monumentit të ish-presidentit Boris Trajkovski.

Kjo është seanca e parë ndërqeveritare që e mban Qeveria e kryeministrit Zaev me qeverinë e shtetit fqinj. Në dhjetor në Pogradec është dakorduar edhe seancë e përbashkët qeveritare midis Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit Zaev në Beograd është dakorduar edhe seancë e përbashkët mes Qeverive të Maqedonisë sdhe Serbisë, e cila duhet të mbahet nga fundi i shkurtit apo në fillim të marsit të vitit të ardhshëm.

Daçiçi: 14 shtete do ta tërheqin njohjen e Kosovës

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiçi, ka deklaruar se lista e vendeve që njohën Kosovën do të zvogëlohet në më pak se 100 vende.

Sipas tij, pas Guineas që ka “tërhequr” njohjen e Kosovës, numri 114 i njohjeve të Kosovës, është gënjeshtër, transmeton Indeksonline.

“Kjo vetëm tregon se lista e 114 vendeve që kanë njohur Kosovën do të zbresë në 100 vende”, ka thënë Daçiq.

Dodik çmendet: Mladiq është hero, dëshmi janë këngët për të

Presidenti i entitetit Republika Sërpska Milorad Dodik, pas vendimit të sotëm të Tribunalit të Hagës për burg të përjetshëm për Ratko Mladiqin, ka deklaruar se ish-komandanti i ushtrisë serbe në Bosnjë gjithmonë ka qenë hero, ndërsa dënimi i tij nuk paraqet kurrfarë befasie, transmeton Expressi.

Dodik ka thënë se “vendimi i sotëm do ta forcojë edhe më shumë popullin serb”. Sipas tij, Mladiqi është hero, për shkak se “në kushte të pamundura ka penguar gjenocidin mbi serbët, si në BeH, ashtu edhe në Kroaci”.

“Ky nuk është dënim i popullit serb, por një shuplakë e turpshme për viktimat serbe. Aktgjykimet nuk mund të ndikojnë mbi faktet tona historike (…) Vetëm historia do të japë përgjigjen përfundimtare se kush është gjenerali Mladiq (…) Për të moti është rezervuar vendi i heroit, sepse ai atë e bëri përmes ushtrisë së vet dhe popullit të vet”, ka thënë Dodik.

Por deklaratat e marra të Dodikut nuk përfundojnë me kaq. Ai ka shtuar edhe se “Mladiqi ka hyrë në këngët serbe” dhe se “kjo është arma e tyre më e fuqishme që zgjat nëpër kohë”

Kandiç: Aktgjykimi për Mladiçin flet mjaft se çfarë komandanti dhe ushtrie ishin

“Për shkak të komandantëve dhe oficerëve të tillë, ne si shoqëri kemi humbur perspektivën e qytetërimit”, theksoi koordinatorja e KOMRA-s, Natasha Kandiç

BEOGRAD – Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe koordinatorja rajonale e KOMRA-s në Serbi, Natasha Kandiç, tha sot se vendimi i shkallës së parë të Gjykatës së Hagës, me të cilin ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska Ratko Mlladiç u dënua me burgim të përjetshëm, konfirmon se Mladiç ka kontribuar në ekzekutimin dhe që është përgjegjës për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

“Megjithëse Këshilli gjyqësor në versionin përmbledhës të verdiktit paraqiti të dhëna që ishin më pak të njohura për opinionin e gjerë. Vendimi i marrë bazohet në mbi 2.000 fakte”, tha Kandiç.

Sipas saj, pritej që trupi gjykues nuk do të lëshohej në argumentimin e gjenocidit në komunat tjera, për të cilat ngarkohej Mladiç në aktakuzë.

Megjithatë, siç thekson Kandiç, verdikti flet mjaft se çfarë komandanti dhe ushtrie ishte ajo.

“Për shkak të komandantëve dhe oficerëve të tillë, ne si shoqëri kemi humbur perspektivën e qytetërimit”, theksoi koordinatorja e KOMRA-s”, Kandiç.

Sot trupi gjykues shpalli vendimin e shkallës së parë ndaj të cilës ekziston mundësia e apelit.

Gjykimi i Mladiçit filloi në maj 2012, një vit pas arrestimit të tij në Serbi në fund të majit të vitit 2011, pas 16 vitesh në arrati me ç’rast iu dorëzua Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë.

Harta e Dodikut për ndarjen e Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës

Presidenti i Republikës Srpska, Millorad Dodik pa hezituar fare nga reagimet publike, ndan Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën.

Në një intervistë ekskluzive për Deutsche Wellen, Millorad Dodik tha se Republika Srpska nuk do të organizojë referendum për shkëputje nga Bosnje-Hercegovina. Por vetëm për momentin, sepse pavarësia e Republikës Srpska, ndarja e kësaj pjese nga Bosnja dhe bashkimi me Serbinë, mbeten “ëndërr e tij”.  Millorad Dodik pohon se Bosnje-Hercegoivna e tanishme “nuk do ta mbijetojë” në formën e tanishme. Për dallim prej shumë politikanëve të tjerë serbë, Dodik nuk heziton fare edhe nga ndarja e Kosovës dhe e Bosnjes. Në intervistën për DW, të zhvilluar nga Zorica Ilic dhe Bahri Cani, Dodik vizaton madje edhe kufitjë e ri të këtyre vendeve.

Reagime të ashpra

Inçizimi i intervistës ku Dodik vizaton kufij të rinj në Ballkan ka zgjuar interesim të madh në shumë media të Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kroacisë. Ka reaguar edhe kabineti i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili kundërshton ndryshimin e kufijve në Ballkan.

Vizatimin e hartave e ka kundërshtuar edhe lideri i Ligës së Socialdemokratëve në Vojvodinë, Nenad Çanak, i cili tha se “vizatimet e këtilla ta kujtojnë fillimin e tragjedive të tmerrshme nga fillimi i viteve 90-të”.

“Millorad Dodiku po luan me zjarrin që do ta përbinte edhe ate vet“, thotë Çanak. Në serialin e intervistave me liderët e Bosnje-Hercegovinës (Bakir Izetbegoviq, Dragan Çoviq, Mlladen Ivaniq dhe Millorad Dodik), ata prashikojnë të ardhme të vështirë për vendin e tyre. Të gjithë ankohen për bllokimin e institucioneve dhe asnjë prej tyre nuk sheh ndonjë zgjidhje të shpejtë të problemeve, sepse të gjitha vendimet merren me konsensus.

Bosnjaku Izetbegoviq dhe kroati Çoviq do ta njihnin pavarësinë e Kosovës, por këtë e pamundëson kundërshtimi i palës serbe në institucione.

Turqi, nga kontrabandistët konfiskohet Teurati i vjetër 7 shekuj

MUGLA – Në qarkun Seydikemer, të provincës turke Mugla, është konfiskuar një kopje e Teuratit të punuar prej ari dhe e shkruar në lëkurë dreri.

Ekipet e xhandarmërisë erdhën në kontakt me kontrabandistët të cilët përpiqeshin të shesin Teuratin, për të cilin besohet të jetë shtatë shekuj i vjetër.

Pjesëtarët e forcave të sigurisë me të dyshuarit ranë dakord për një çmim prej 7.5 milionë lira (rreth 1.64 milionë euro) dhe organizuan një takim në bregdet.

Në operacion u arrestuan Sadettin U., Selahattin U., Zahit C. dhe Ilker A. dhe u konfiskua kopja e librit të shenjtë të Teuratit.

Sadettin U. u arrestua më pas për kontrabandë, ndërsa të tjerët u liruan me masën e ndalesës.

Libri është dorëzuar në Muzeun Fethiye për përpunim të mëtejshëm. aa

Jovanoviç: Secili politikan në Serbi privatisht ma thotë se kam të drejtë për pavarësinë Kosovës

Kryetari i Partisë Liberal-Demokratike, Çedomir Jovanoviq, në një intervistë të gjatë për Kosova 2.0 ka folur për politikën e tij pro pavarësisë së Kosovës. I pyetur se përse ai është një përkrahës i pavarësisë ai është përgjigjur shkurt “sepse është një realitet”.

“Sepse është diçka e vërtetë. Një realitet. Si mund t’ju them ndryshe kur është realitet? Nuk ishte qëllimi im. Ta injoroni realitetin pas asaj që ndodhi para dhe pas viteve ’90?. Çdo politikan serb pas kamerës më thotë se kam të drejtë. Çdo qytetar në Serbi sot me një logjikë të shëndetshme ju tregon se unë kam të drejtë në këtë çështje dhe në fund ne thjesht vazhdojmë kështu – duke humbur kohë”, tha ai.

Jovanoviq deklaroi se presidenti i Serbisë pranoi që lista serbe të mbështet qeverinë e Haradinajt sepse i është dukur alternativë më e mirë sesa mbështetja e Albin Kurtit.

“Ju e dini, Vuçiç tha se ne duhet të votojmë për Haradinajn sepse ai është një zgjedhje më e mirë se Albin Kurti. Sigurisht që ai duhet të japë disa shpjegime. Haradinaj është një kriminel lufte sipas gjykatave tona. Gjykata jonë e akuzon, dhe në fund, lista serbe voton për Haradinajn. Vucic duhet të luajë këtë rol”

Ai ka folur edhe për rolin e Listës serbe në Kosovë, duke thënë se është instrument i Beogradit në Kosovë.

Për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë thotë se është në dëmë të Kosovës.

“Jo, nuk e mbështes atë, sepse është një kërcënim për të ardhmen e Kosovës. Është një shenjë se ne nuk jemi në gjendje të jetojnë së bashku si qytetarë në të ardhmen, por që ne duhet të ndahemi. Kemi nevojë për serbë të Kosovës të integruar plotësisht. Nuk është e lehtë, sepse e kaluara jonë është plot gjakderdhje. Duhet të jemi më të përfshirë në ndërtimin e paqes. Por ne nuk mund të jemi në trenin vdekjeprurës për përjetësinë – për të vrarë njëri-tjetrin dhe për të shkatërruar njëri-tjetrin”, ka thënë ai.

I pyetur për pranin ruse në rajon, ai ka thënë se është i frikësuar nga ky fakt, pasi për Moskën, Kosova është një shtet kriminal.

“Po sigurisht se kam frikë. Për shkak se ata duan të na përdorin dhe ne jemi një mjet i përsosur për një rrëmujë të re në këtë pjesë të Evropës. Ata mbështesin forcat e viteve ’90, të nacionalizmit. Ata mbështesin [Milorad] Dodik dhe kanë një qasje të tmerrshme ndaj Kosovës. Për zyrtarët në Moskë, Kosova është një shtet kriminal. OK, ndoshta në Kosovë mund të përballemi me kriminelët që janë të njëjtë në Moskë. Por ideja është një shtet kriminal është një turp. Por prapa kësaj është të na shtyjë në një luftë të re, sepse çdo luftë në Ballkan është e dobishme për Rusinë”, tha ai tutje.

Çedomir Jovanoviq foli edhe për politikën që do ta aplikonte ndaj Kosovës nëse do të bëhej kryeministër i Serbisë.

“Unë nuk kam asnjë të drejtë ta ndaloj Kosovën. Nëse ju dëshironi të bëheni pjesë e UN. në rregull, bëhuni pjesë e UN. Nëse dëshironi të jeni pjesë e UEFA’së, bëhuni pjesë e saj. Dua të luaj futboll me ju. Më mirë futboll se luftëra. Nuk jam i lumtur që nuk jeni pjesë e UNESCO-së. Për mua, është më e mirë nëse Kosova është në UNESCO sesa në një vrimë të zezë. Politikanët tanë po tregojnë muskujt e tyre, duke na thënë: “Unë kam muskuj për t’i bllokuar ata nga të qenit pjesë e UNESCO-së.” Ideja ime është të punojmë së bashku në këto çështje. Le ta hapim kufirin dhe së bashku të hapim perspektivat e integrimit evropian – pa asnjë gënjeshtër”. Ka thënë ai për 2.O.

Në Stamboll zbulohet specie e re endemike bimore

Specia e zbuluar në të njëjtën kohë është zbulim që ndodh për herë të parë edhe për literaturën botërore

STAMBOLL – Në kuadër të një projekti lidhur me diversitetin biologjik nga Ministria e Pyjeve dhe Menaxhimit të Ujërave e Turqisë, në Stamboll është zbuluar një specie e re endemike bimore e cila është emërtuar si Qepa e Stambollit (Allium istanbulenese).

Sipas një deklarate nga ministria, specia e zbuluar në të njëjtën kohë është zbulim që ndodh për herë të parë edhe për literaturën botërore.

Zbulimi është realizuar në kuadër të “Projektit të Inventarizimit dhe Monitorimit të Biodiversitetit (UBENIS), ndërsa është konstatuar se specia e re, Qepa e Stambollit, nuk i ngjan asnjë mostre të gjinisë “Allium” të mbledhura gjatë punimeve të biodiversitetit në vend.

Specia është përkufizuar edhe shkencërisht, ndërsa në literaturën botërore është emëruar si “Allium istanbulenese”.

Turqia si vend i pasur me lloje të gjinisë Allium, është qendër gjenetike edhe e disa grupeve të tjera.

Gjinia e njohur me emrin shkencor Allium përfshin bimët bulbore me aromë të veçantë, në të cilat bëjnë pjesë qepa, preshi dhe hudhra, ndërkohë që në Turqi në mënyrë natyrore rriten deri në 200 specie të kësaj gjinie.

Ndërkaq, me këtë zbulim, numri i specieve endemike të Stambollit është rritur në 54.

Në deklaratën e Ministrisë së Pyjeve dhe Menaxhimit të Ujërave është cituar edhe ministri Veysel Eroğlu, i cili ka thënë se Turqia është vend mjaft i pasur për sa i përket specieve endemike.

“Me projektin UBENIS të nisur në vitin 2013, deri më sot kemi realizuar punime në 33 provinca. Deri në fund të këtij viti, ne do të kemi përfunduar punimet edhe në 21 provinca, përfshirë Stambollin. Kur të përfundojnë punimet në të gjitha provincat tona, ne do të nxjerrim një hartë të biodiversitetit të Turqisë”, është shprehur Eroğlu. aa

Putini fton Vuçiçin në Moskë

Foto arkivi

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, takoi të enjten ambasadorin rus në Beograd, Aleksander Çepurin, i cili i dha ftesën e presidentit rus, Vladimir Putin, për të vizituar Moskën në gjysmë të dhjetorit.

Siç njofton kabineti i Vuçiqit, ky i fundit tha se është shumë e rëndësishme që do të ketë rastin të takojë Putinin dhe të bisedojë për marrëdhëniet dypalëshe dhe për propozime konkrete në avancimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit ekonomik.

Një nga temat e diskutimit do të jetë edhe bashkëpunimi në fushën e energjetikës, thuhet në njoftim.

Vuçiq tha se shpreson të bisedojë me Putinin edhe për marrëdhëniet në Ballkanin Perëndimor, Evropë, si dhe për gjendjen globale politike dhe ekonomike.

Greqi: U arrestua një grup trafikantësh, kryesisht shqiptarë

Pamje e dy policëve grekë

Policia e Greqisë ka njoftuar mbrëmë se e ka shkatërruar një hallkë të krimit të organizuar, me ç’rast i ka arrestuar 20 trafikantë të dyshuar.

Në këtë operacion të kryer gjatë dy ditëve të javës së kaluar me ndihmën e agjencisë Europol, janë zbuluar katër kapacitete punuese në kryeqytetin Athinë, ku ishin falsifikuar dokumentet.

Shumica e të arresturve ishin shqiptarë, por në mesin e tyre ka pasur edhe grekë me origjinë shqiptare dhe tre sirianë, ka njoftuar policia e Greqisë.

Ata janë të akuzuar për falsifikimin e dokumenteve, përfshirë pasaporta, që kushtonin prej 400-500 euro, kartela kreditore dhe të sigurimit social, raporton agjencia AFP nga Athina.

Ky grup i reklamonte shërbimet e tij në Greqi dhe në gjithë Evropën, nëpërmjet imejlave dhe në Internet, ndërsa i aranzhonte udhëtimet e klientëve të vet në Britani.

Nën presionin e fqinjve të vet evropianë, autoritetet e Greqisë në mënyrë të theksuar e kanë forcuar luftën kundër trafikimit dhe falsifikimit të dokumenteve, prej krizës së migrantëve në vitin 2015.

Daçiçi: Kundërshtojmë thirrjen për të zgjedhur ndërmjet Rusisë dhe perëndimit

Serbia dëshiron ta mbajë balancimin e ndjeshëm ndërmjet Rusisë dhe perëndimit, ka thënë ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, duke e refuzuar thirrjen e Shteteve të Bashkuara për tu përcaktuar për njërën anë.

Serbia, vendi më i madh që ka dalur nga shkatërrimi i ish-Jugosllavisë, konsiderohet se ka afërsi natyrore me Rusinë, por është tejet e interesuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Para disa ditësh, zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të shtetit, Hoyt Brian Yee, gjatë vizitës në Beograd tha se Serbia “nuk mund të ulet në dy karrige në të njejtën kohë”.

Këto komente të tij janë kritikuar ashpër në Beograd.

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se Beogradi do ta mbajë balancimin me perëndimin, Rusinë dhe Kinën”.

“Ajo që ne nuk dëshirojmë është që dikush ta tërheq karrigen tonë nën ne…ajo që është e rëndësishme është që të shohim se çka është në interesin tonë më të mirë”, i tha Daçiq agjencisë Reuters gjatë një interviste.

Greqi, ish-ministri i Mbrojtjes dënohet me 19 vite burg

Tsochatzopoulos, siç thuhet në aktvendimin gjyqësor, është dënuar për korrupsion dhe larje parash lidhur me kontratën për blerjen e nëndetëseve gjermane dhe sistemit kundërajror raketor rus

ATHINË – Ish-ministri grek i Mbrojtjes Akis Tsochatzopoulos (78) është dënuar me 19 vjet burg për larje parash, dhënie ryshfeti dhe evasion fiskal.

Tsochatzopoulos, siç thuhet në aktvendimin gjyqësor, është dënuar për korrupsion dhe larje parash lidhur me kontratën për blerjen e nëndetëseve gjermane dhe sistemit kundërajror raketor rus.

Gjykata në Athinë në fund të procedurës që zgjati tre vite mori vendim me të cilin, në dënime të ndryshme, është dënuar jo vetëm ish-ministri grek por edhe 16 persona të tjerë, përfshirë edhe bashkëshorten dhe vajzën e tij.

Sipas vendimit të gjyqit, Tsochatzopoulos, i cili gjendej në liri me kusht, sërish do të përfundojë prapa grilave.

Tsochatzopoulos në mars të vitit 2013 është dënuar me tetë vite burg për shkak të parashtrimit të dokumenteve të rrejshme mbi pronën dhe të ardhurat. Atëbotë iu shqiptua edhe gjobë prej gjysmë million euro dhe iu konfiskua shtëpia në qendër të Athinës.

Pasi në burg kaloi pothuajse pesë vite, këtë vit me kaucion prej 200 mijë eurosh u lirua me kusht.

Tsochatzopoulos ka qenë ministër i Mbrojtjes prej vitit 1996 deri në vitin 2001 dhe ministër i Zhvillimit prej vitit 2001 deri në vitin 2004.

Vuçiçi: Në bisedë me diplomatin Hoyt Yee i kam mbrojtur interesat serbe

Aleksander Vuçiq (majtas) dhe Hoyt Brian Yee, gjatë bisedimeve në Beograd më 24 tetor të këtij viti

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, tha se gjatë bisedës me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të shtetit, Hoyt Brian Yee, i ka mbrojtur interesat e Serbisë.

“Mund të them se kam punuar pastër dhe me përgjegjësi dhe se i kam mbrojtur interesat e Serbisë”, u tha sot gazetarëve në Beograd, presidenti Vuçiq, pas takimit me liderin e Republikës Serbe në Bosnjë-Hercegovinë, Millorad Dodik.

“Hoyt Yee është politikan serioz, i ka paraqitur mesazhet që për ne janë të vështira, por nuk do të thoja se janë të reja”, tha Vuçiq, dhe ka shtuar se “toni ndoshta ishte më i lartë, prandaj edhe unë për një oktavë më fuqishëm i kam mbrojtur interesat e Serbisë”.

Megjithatë, Vuçiq theksoi se është vështirë që pa pasur raporte të mira me Shtetet e Bashkuara, Serbia mund të llogarisë për prosperitet në të ardhmen, raporton agjencia Beta.

“Por, çfarë vendi do të ishin ne sikur të mos kultivonim frymë të lirisë”, tha Vuçiq dhe ka shpjeguar se Beogradi “i respekton interesat e Shteteve të Bashkuara, Evropës, Rusisë, por i respektojmë edhe interesat e Serbisë”.

Në kumtesën pas bisedës së presidentit Vuçiq me zëvendës-ndihmësin e sekretarit amerikan të shtetit, Hoyt Brian Yee, para disa ditësh në Beograd, theksohej se ai ishte i brengosur për ndikimin rus në Ballkan dhe Serbi dhe se kërkonte zgjidhjen e çështjes së ndezjes së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Beograd dhe zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë me prejardhje nga Kosova.

Turqia feston 94-vjetorin e shpalljes së Republikës

Erdogani është shprehur gjatë ceremonisë se “Shpirti që i dha jetën Republikës sonë, që kurorëzonte luftën tonë të pavarësisë me fitoren, sot po qëndron ende në këmbë ashtu si 94 vjet më parë”

ANKARA – Sot Turqia shënon 94-vjetorin e shpalljes së Republikës, ku me këtë rast drejtues të lartë të shtetit kanë vizituar mauzoleun (Anıtkabir) të Ataturkut.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka vendosur kurorë me lule në mauzoleun Anıtkabir dhe më pas është kënduar himni kombëtar. Të pranishëm në ceremoni kanë qenë edhe Kryetari i Parlamentit të Turqisë, İsmail Kahraman, Kryeministri Binali Yıldırım, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gjeneral Hulusi Akar, anëtarë të Këshillit të Ministrave, kryetari i partisë CHP, Kemal Kılıçdaroğlu, kryetari i partisë MHP, Devlet Bahçeli dhe zyrtarë të tjerë.

Presidenti Erdoğan është shprehur gjatë ceremonisë se “Shpirti që i dha jetën Republikës sonë, që kurorëzonte luftën tonë të pavarësisë me fitoren, sot po qëndron ende në këmbë ashtu si 94 vjet më parë. Rezistenca e lavdishme e cila në histori është shënuar si saga historike ’15 korriku’ është formësimi këtij shpirti dhe vullneti të përhapur në të gjithë sipërfaqen e vendit.”

Më pas Erdoğan në librin e shënimeve në Anıtkabir ka shkruar: “I dashur Ataturk, ne me një entuziazëm të thellë po festojmë 94-vjetorin e Republikës së shtetit tonë të fundit të cilin e kemi duke paguar një çmim të rëndë. Republika e Turqisë të cilën ju na e keni lënë amanet është e mbushur plot me sakrifica në çdo fazë të saj dhe është një vepër e një lufte të ashpër. Lufta jonë e Pavarësisë e kurorëzuar me fitore dhe e cila i jep jetë Republikës sonë qëndron ende në këmbë ashtu sikurse 94 vite më parë. Rezistenca e lavdishme e cila në histori është shënuar si saga historike ’15 korriku’ është formësimi këtij shpirti dhe vullneti të përhapur në të gjithë sipërfaqen e vendit. Teksa festojmë 94-vjetorin e themelimit të Republikës sonë përkujtojmë me nder kryesisht ju dhe shokët tuaj të luftës si dhe të gjithë veteranët tanë, si dhe urojmë që mëshira e Allahut të jetë mbi dëshmorët tanë. Gëzuar Ditën e Republikës.”

Pas ceremonisë, kanë vazhduar aktivitete të tjera, ku Anıtkabir është i hapur për vizita edhe për qytetarët.

Çdo vit, Turqia shënon më 29 tetor Ditën e Republikës, pasi në vitin 1923 u shpall Republika e Turqisë.

Greqi, arrestohet i dyshuari për sulmin me bombë ndaj ish kryeministrit

Ish kryeministri grek, Lucas Papademos, pësoi lëndime serioze të kofshës dhe trupit, kur në maj të vitit të kaluar hapi “letrën bombë” në automjetin e tij

ATHINË – Policia greke arrestoi një person të dyshuar për sulmin me bombë ndaj ish-kryeministrit të vendit në maj të vitit të kaluar. I dyshuari 29-vjeçar, emri i të cilit nuk u publikua, u arrestua të shtunën në mëngjes.

Ish kryeministri grek, Lucas Papademos (70), pësoi lëndime serioze të kofshës dhe trupit, kur në maj të vitit të kaluar hapi “letrën bombë” në automjetin e tij.

Ai kaloi më shumë se një muaj në trajtim. Dy persona të tjerë u plagosën më lehtë në shpërthimin e bombës.

Papademos ishte kryeministër për gjashtë muaj në periudhën 2011- 2012 dhe gjithashtu është ish-zëvendësguvernator i Bankës Qendrore Evropiane.

Policia shtoi se i dyshuari mund të ketë qenë i përfshirë edhe në dërgimin e një “pakete bombë” në mars të këtij viti në Ministrinë e Financave të Gjermanisë dhe në zyrën e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Paris, ku në një shpërthim të dobët u plagos një person.

Daçiçi i përgjigjet Hoyt Yee’s: Ke shikuar shumë filma fantastiko-shkencorë

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiç i është përgjigjur deklaratave të diplomatit amerikan Hoyt Yee i cili në Beograd tha se Beogradi po ulet në dy karrige, duke aluduar kështu në bashkëpunimin serbo-rus dhe përcaktimin për rrugën europiane.

Ai ka thënë se Serbia nuk ulet në dy karrige dhe se asaj i interesojnë vetëm interesat e saj.

“këto janë budallallëqe. Krejt këto janë budallallëqe. Mendoj se disa njerëz përfshirë edhe përfaqësuesin e State Departamentit, kanë shikuar filma fantastiko-skencorë si Star Ëars” ka thënë ai.

Daciq po ashtu ka ka thënë se Britania e Madhe ka kërkuar që seancat e KS të OKB’së për Kosovën të anulohen dhe se për këtë ka bisedime të mbyllura në OKB.

Ai ka thënë se Kina dhe Rusia janë kundër kësaj.

Ai më pas ka thënë se për statusin e Qendrës Humanitare ruse në Nish, për të cilën Rusia ka kërkuar status diplomatik, do të vendosë vetë Serbia, e jo rusët e amerikanët.

Pilotët bullgarë refuzojnë avionët rusë MiG-29

Avionët ushtarakë MiG- 29 në Bullgari

Disa pilotë nga Bullgaria kanë refuzuar të drejtojnë avionët sovjetik, MiG- 29, duke ngritur çështje të sigurisë se avionët mund të jenë të vjetëruar.

“Disa pilotë nga baza ajrore Graf Ignatievo, nuk do të marrin pjesë në ushtrimet me avionë, sepse nuk ndihen të sigurtë”, ka thënë zëvendësministri i mbrojtjes së Bullgarisë, Atana Zapryanov.

Pilotët kanë shprehur shqetësimet për përgatitjet e dobëta, si mungesa e orëve të fluturimit, ka thënë Zapryanov, duke shtuar se avionët janë në gjendje të rregullt për fluturim.

Bullgaria i është bashkuar NATO-s në vitin 2004, por shumica e pajisjeve të saja ushtarake janë nga Rusia.

Rusia ia dorëzoi Serbisë gjashtë aeroplanë luftarakë të tipit MiG-29

Sergei Shoigu ( majtas) dhe Aleksander Vuçiç gjatë ceeremnonisë së djeshme në aeroportin ushtarak Batajnica në Beograd

Rusia formalisht ia ka dorëzuar Serbisë gjashtë aeroplanë luftarakë të tipit MiG-29, në kuadër të ceremonive me të cilat dje u shënua përvjetori i çlirimit të Beogradit në Luftën e Dytë Botërore.

Ministri i mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, dje morën pjesë në këtë pranim-dorëzim, në një aeroport ushtarak në periferi të Beogradit.

Serbia dje e ka shënuar çlirimin e Beogradit më 20 tetor të vitit 1944 nga okupimi nazist, duke organizuar paradë ushtarake dhe manifestime të tjera.

Historianët thonë se afro 3 mijë ushtarë jugosllavë dhe 1 mijë ushtarë rusë janë vrarë gjatë ofensivës përfundimare për çlirimin e Beogradit.

Gjashtë aeroplanë MiG-29 kanë arritur të çmontuar me aeroplanë transportues të Rusisë gjatë tri javëve të fundit.

Këta aeroplanë i janë dhënë Beogradit pa pagesë, por kompletimi i tyre dhe riparimi pritet të kushtojë afro 235 milionë dollarë amerikanë.

Presidenti Vuçiq tha se këta aeroplanë luftarakë nga Rusia do të aktivizohen në fund të këtij viti, pas riparimit dhe stërvitjes së pilotëve.

Vuçiçi: Synojmë marrëveshje historike me shqiptarët dhe jetë fqinjësore me boshnjakët

BEOGRAD – Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiçi, deklaroi se teknika e re, artileria dhe avionët e ushtrisë serbe nuk paraqesin kurrfarë kërcënimi për askënd, por se janë dëshmi se Serbia vlerëson jetën e qytetarëve të saj dhe do të jetë në gjendje që t’i mbrojë.

“Serbia dëshiron të krijojë shtet të fortë dhe stabël i cili me të gjithë do të jetë partner i fuqishëm, si dhe do të synojë marrëveshje historike me shqiptarët, jetë fqinjësore me boshnjakët, marrëdhënie të mira me kroatët dhe lidhje më të forta me malazezët”, tha Vuçiq në aeroportin në Batajnica, ku u prezantua stërvitja ushtarake “Sloboda 2017” me rastin e 73 vjetorit të çlirimit të Beogradit në Luftën e Dytë Botërore.

Siç sqaroi ai, Serbia nuk druhet të negociojë, por “askush nuk duhet të mendojë se negocion sepse frikësohet”.

“Ushtria e Serbisë për çdo ditë është më e fuqishme dhe së shpejti do të jetë edhe më mirë e paguar. Ne jemi vend i lirë, i pavarur dhe sovran, i cili dëshiron të merret me veten dhe të punojë, përparojë dhe të zhvillohet”, tha presidenti serb. aa

Nga burgu i Hagës në Akademinë ushtarake serbe

Gjenerali i pensionuar serb, Vladimir Lazareviç, i dënuar nga Tribunali i Hagës me 14 vjet burg, për përgjegjësi komanduese për krime të luftës në Kosovë, së shpejti do të mund të mund t’i bartë përvojat e tij të luftës tek kadetët që shkollohen në Akademinë Ushtarake në Serbi.

Siç u ka thënë medieve serbe ministri i Mbrojtjes i Qeverisë së Serbisë, Aleksander Vulin, gjeneralët, sikurse Lazareviqi, kanë shumëçka të rëndësishme që t’ua bartin kolegëve të rinj.

Përveç Lazareviqit, i cili ka qenë komandat i Korpusit të Prishtinës dhe Armatës së Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë, në mesin e ligjëruesve, sipas paralajmërimeve, do të mund të jenë edhe gjenerali i pensionuar, deputeti dhe anëtari i Partisë Radikale Serbe, Bozhidar Deliç, si dhe shefi aktual i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Lubisha Dikoviq.

Në një përgjigje me shkrim të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, për Radion Evropa e Lirë, thuhet se “Akademia Ushtarake do të vendosë se kush nga eprorët do të ligjërojë, ndërkaq propozimin do ta japë Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë së Serbisë”.

Ndërkaq, Miroslav Lazanski, anëtar i Komisionit parlamentar për mbrojtje dhe punë të brendshme, si dhe deputet i Partisë Progresiste Serbe, e cila është në pushtet, thotë për Radion Evropa e Lirë se në mënyrë absolute e mbështetë qëndrimin e ministrit Vulin.

Zoti Lazareviq është i dënuar, por ai e ka vuajtur dënimin e tij. Prandaj, ai nuk po garon në asnjë plan politik, por ai duhet t’i shpërfaqë përvojat e tij nga lufta në Kosovë”, konsideron Lazanski.

Tribunali i Hagës, sipas tij, nuk është gjykatë për drejtësi, por vetëm instrument politik, siç ka thënë ai, “për ta shkruar historinë e re në Ballkan”.

Nemanja Stjepanoviq nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë për Radion Evropa e Lirë se bartjen e përvojave tek kadetët, tani do ta bëjnë njerëzit, në zonën e përgjegjësisë të së cilëve dhe me pjesëmarrjen e njësiteve të tyre, kanë pësuar mijëra civilë.

Së pari, Vladimir Lazareviq është dënuar si ndihmues në ndërmarrjen e përbashkët kriminale, si dikush që është përgjegjës për dëbimin dhe zhvendosjen e dhunshme të civilëve shqiptarë të Kosovës, në vitin 1999. Ai e ka vuajtur dënimin dhe është kthyer në Serbi”.

Në zonën e përgjegjësisë së brigadës 549 të komanduar nga Deliq, janë vrarë 2 mijë e 200 civilë shqiptarë. Në zonën e përgjegjësisë së Ljubisha Dikoviqit, janë vrarë 1 mijë e 400 civilë shqiptarë. Ndërkaq, në zonën e përgjegjësisë së Vladimir Lazareviqit, të Korpusit të Prishtinës, me të cilin ka komanduar ai nga data 24 mars deri me 10 qershor të vitit 1999, janë vrarë rreth 6 mijë e 200 civil”, tha Stjepanoviq.

Megjithatë, ministri Vulin, rreth dhjetë ditë më parë, në tubimin në Nish të ish eprorëve të Armatës së Tretë të Ushtrisë së Jugosllvisë, që ishte gjatë bombardimeve të NATO-s, në mesin e të cilëve ishte edhe Lazareviq, ka thënë se “nga këta njerëz… asnjëherë nuk janë ndje të turpëruar ushtria, të cilën e kanë komanduar dhe populli të cilin e kanë mbrojtur”.

Ne jemi krenar me këta njerëz dhe ata janë dëshmi se sa i është kthyer vetes Serbia”, pati thënë Vulin.

Por, Stjepanoviq shtron pyetjen, se cilat përvoja do t’i bartin këta njerëz tek kadetët?

A do të ligjërojnë për atë se si t’i fshehin krimet, si të mos tregojnë se ku gjenden trupat, se si të mos hetohen krimet, si t’i mbrojnë ushtarët e tyre që kanë kryer krime? A janë këto gjerat për të cilat ata do të ligjërojnë? Ose, si t’i përzënë në mënyrë efikase 800 mijë njerëz”, tha Stjepanoviq.

Për shkak të veprimeve të Vulinit, ankesat kanë shkuar në adresë të Qeverisë së Serbisë dhe kryeministres Ana Bërnabiq.

Partia Liberale Demokratike ka konstatuar se “Qeveria e Serbisë për javë të tëra po heshtë lidhur me sjelljen e Vulinit dhe në këtë mënyrë po i forcon qëllimet e tij, të cilat tashmë janë të qarta. Ai është promotor dhe mbrojtës i kriminelëve të luftës”.

Ndërkaq, Iniciativa e të rinjve për të drejta të njeriut ka kërkuar nga kryeministrja serbe Bënabiq, që urgjentisht, e më së largu deri në fund të kësaj jave, të fillojë procedurën për shkarkimin e ministrit Vulin.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Tsipras: Greqia mbështet anëtarësimin e Turqisë në BE

UASHINGTON – Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras pas takimit me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë tha se e përkrahin procesin e anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian (BE).

Trump dhe Tsipras pas takimit në Shtëpinë e Bardhë kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media.

Duke folur për marrëdhëniet e hershme me Greqinë dhe kontributin që kultura greke ka dhënë në qytetërimin perëndimor, Trump tha se do të vazhdojnë marrëdhëniet e afërta që kanë me këtë vend.

Ndër të tjera pasi ka bërë të ditur se avionë luftarakë F-16 të Greqisë do të modernizohen me një vlere prej 2.4 miliardë dollarë, Trump theksoi se kjo marrëveshje do të ofrojë kontribut edhe për ekonominë amerikane por gjithashtu do të ndihmojë edhe për rritjen e thellimit ekonomik mes dy vendeve.

Ndërkohë kryeministri grek Tsipras ka bërë vlerësime në lidhje me ecurinë e marrëdhënieve Turqi-Greqi si dhe për marrëdhëniet SHBA-Greqi.

“Ne e respektojmë Turqinë si një fuqi rajonale”

Kryeministri grek tha se disa herë kanë patur probleme me Turqinë në kuadër të Detit Egje.

“Përpos kësaj ne e mbështesim rrugën evropiane të Turqisë. Ne e respektojmë Turqinë si një fuqi rajonale. Ne besojmë se Turqia në perspektivën evropiane duhet të qëndrojë e lidhur me bashkëpunimin me Perëndimin dhe NATO-n”, tha Tsipras.

Ai beson se Turqia duhet të qëndrojë nën strukturën e NATO-s dhe të vazhdojë linjën e saj evropiane.

Lidhur me çështjen e Qipros, kryeministri Tsipras tha se “Në çështjen e Qipros ne shpresojmë që të arrijmë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme në bazë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB)”.

Më tej Tsipras potencoi se Greqia është një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit në Mesdhe. Ai gjithashtu ka dhënë informacione në lidhje me bashkëpunimin në fushën e energjisë mes Qipros jugore greke, Izraelit dhe Egjiptit. AA

I kërkuari për terrorizëm në Turqi kërkon azil në Shqipëri

Kërkesa në fjalë nga Muhammet Yasir Aydogmus (Muhammet Yasir Aydoğmuş) është konfirmuar nëpërmjet vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, marrë më datë 13 tetor

TIRANË  – Shtetasi turk, Muhammet Yasir Aydoğmuş, rezulton të ketë kërkuar azil politik në Shqipëri, ndërsa ai u lirua nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, pavarësisht kërkesës së Prokurorisë për mbajtjen në masën “arrest me burg”, për qëllim ekstradimi drejt Turqisë.

Kërkesa në fjalë është konfirmuar nëpërmjet vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, marrë më datë 13 tetor, vendim që është siguruar nga Anadolu Agency (AA).

“Më dt.13.10.2017 i arrestuari Muhammet Yasir Aydogmus rezulton të ketë paraqitur Kërkesë për azil politik në Republikën e Shqipërisë dhe mbrojtje nga shteti shqiptar pranë D.V.K.M, Durrës, (Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Durrës), kërkesë e cila është protokolluar me Nr.03/436 pranë këtij institucioni. Në kërkesën e tij për azil politik dhe mbrojtje nga shteti shqiptar shtetasi Muhammet Yasir Aydogmus ka parashtruar se këtë kërkesë ai e ka paraqitur verbalisht që në momentin e parë kur është ndaluar, por nuk ka dijeni pse nga autoritetet nuk është proceduar me shqyrtimin e kësaj kërkese, arsye për të cilën është detyruar ta paraqesë sërish me shkrim kërkesën për azil”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Durrësit.

Në vendim theksohet më tej se “Muhammet Yasir Aydogmus nuk ka asnjë rrezik apo mundësi largimi nga territori i Republikës së Shqipërisë. Ai nuk disponon asnjë dokumentacion me të cilin të mund të kalojë kufirin në kushtet kur pasaporta me të cilën tentoi të kalonte kufirin e dyshuar si e falsifikuar është sekuestruar për llogari të procedimit penal ndaj tij po ashtu është sekuestruar edhe çdo dokumentacion tjetër i disponuar nga ai në momentin e arrestimit të tij. Sipas ligjit liria e tij është e kufizuar dhe ai nuk mund të largohet nga territori i RSH (Republikës së Shqipërisë) të paktën deri në përfundim të procedurës për shqyrtimin e kërkesës së tij për azil nga autoriteti përkatës, madje gjatë kësaj periudhe duhet të qëndrojë brenda një territori e vendi të caktuar sipas ligjit për azilin.”

Kujtojmë se Policia e Durrësit ndaloi më 8 tetor (data sipas policisë), shtetasin në fjalë së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, në tentativë për të kaluar kufirin me pasaportë të falsifikuar. Personi në fjalë rezulton të jetë i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili kërkohet nga autoritetet turke për “lidhje me organizatë terroriste”. Ndërkohë sipas vendimit të gjykatës, ai “ka pranuar faktin se ka falsifikuar të 4 pasaportat për të gjithë anëtarët e familjes së tij.”

Ndaj të arrestuarit fillimisht Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi më 11 tetor masën e sigurisë “Detyrim paraqitje dhe lënie garancie pasurore” për veprat penale “Falsifikimi i letër njoftimeve i pasaportave ose i vizave” dhe ”Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Por pas këtij vendimi, ishte policia e cila përsëri arreston shtetasin në fjalë kësaj radhe për shkak se ai rezultonte i shpallur në kërkim dhe i kërkuar nga autoritetet turke për “lidhje me organizatë terroriste”. Drejtoria e Policisë së Durrësit konfirmoi zyrtarisht se bënë arrestimin i përkohshëm i tij, me qëllim ekstradimin drejt Turqisë.

“Pas hetimeve të kryera në bashkëpunim më Zyrën e Interpolit Tiranë u evidentua se shtetasi turk Muhammet Aydogmus ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për organizatë terroriste (lidhje me organizatë terroriste) dhe kërkohej nga Turqia. Muhammet Aydogmus u arrestua dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të bashkëshortes së tij, pasi së bashku me dy fëmijët e tyre kanë tentuar të kalojnë kufirin në Portin e Durrësit në drejtim të Italisë me pasaporta, të cilat dyshohej se ishin të falsifikuara”, konfirmoi zyrtarisht Policia e Durrësit.

Fillimisht Drejtoria e Policisë së Shqipërisë për AA konfirmoi se bashkëshortja e shtetasit turk bashkë me fëmijët u dërguan në Qendra Kombëtare Pritëse për të Huajt në Babrru të Tiranës, dhe ku duhej të qëndronin aty deri në përfundim të procedurave ndaj saj.

Ndërsa më 13 tetor Gjykata e Durrësit vendos ai do të hetohet dhe gjykohet në gjendje të lirë, duke vendosur “rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës për caktimin e masës së sigurimit personal ‘arrest në burg’ ndaj shtetasit turk Muhammet Yasir Aydogmus për qëllim ekstradimi.”

Në lidhje me vendimet e gjykatës, ka reaguar edhe Ambasada e Turqisë në Tiranë, duke theksuar se “vendimi për lirimin e tij është një shembull i keq për luftën kundër terrorizmit.”

Personi në fjalë supozohet të jetë nga një ekip “trollësh” në internet i cili ka siguruar informata për “Fuat Avni” të organizatës terroriste FETO në Twitter, që vitin e kaluar ishte zbuluar nga Kryeprokuroria Publike e Stambollit.

Vuçiçi: Me shqiptarët na duhet marrëveshje e paqes për 200 vjet

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, tha se pengesa më e madhe në rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian është “gjetja e një zgjidhjeje për Kosovën”.

BE-ja është duke ndërmjetësuar bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve dhe shumë në Evropë besojnë se Serbia do të duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës përpara se t’i bashkohet bllokut.

“Kemi konflikt të ngrirë për shumë vite. A është mirë ta kemi këtë konflikt të ngrirë edhe për 50 apo 100 vjetët e ardhshëm? Nuk mendoj. Kjo është arsyeja përse kam nisur diskutimet e brendshme”, tha Vuçiq në një intervistë për agjencinë AP.

“Me shqiptarët, mendoj se na duhet marrëveshje afatgjate e paqes për 200 vjetët e ardhshëm”, tha ai, duke shtuar se të gjitha palët “do të duhet të bëjnë disa kompromise”.

Vuçiq po ashtu premtoi se do ta çojë Serbinë në BE dhe tha se fakti se Rusia e armatos ushtrinë serbe nuk e kërcënon këtë synim.

“Ne e dimë se ku po shkojmë, çfarë do të thotë se jemi në rrugë drejt BE-së; ky është qëllim strategjik i vendit tonë. Në të njëjtën kohë, duam të ruajmë marrëdhënie shumë të mira me Rusinë, Turqinë, Kinën, SHBA-në dhe të tjerë”, tha presidenti serb për AP-në.

Lajiç: Ja pse janë përkeqësuar marrëdhëniet e Turqisë me Kosovën dhe Shqipërinë

Ministri i Tregtisë së Serbisë, Rasim Lajiç thotë  se nuk e di nëse në takimin e presidentëve të Serbisë dhe Turqisë, Aleksander Vuçiç dhe Recep Tayyip Erdogan, është folur edhe për Kosovën.

“Marrëdhëniet e Turqisë me Kosovën dhe Shqipërinë nuk janë ato që ishin disa vite më parë. Kjo situatë ndryshoi në mënyrë dramatike nga përpjekja grusht shtetit në Turqi më 15 korrik të vitit të kaluar”, tha Lajiç për Radio Vojvodinën.

“Nga ana tjetër, në Shqipëri dhe Kosovë ka struktura pasuese të Fetulah Gulen (të cilin Turqia e akuzon si organizator të tentim grusht shtetit). Disa nga ndjekësit janë në pozita të rëndësishme në Kosovë dhe Shqipëri. Unë nuk e di sa është e saktë kjo, unë thjesht transmetoj atë që dëgjoj, atë që turqit më transferojnë. Dhe pas shumë kërkesave të dërguara në Tiranë dhe Prishtinë, asgjë nuk është ndërmarrë. Kjo ka ftohur marrëdhëniet”, tha Lajiç.

Vulin e përsëriti mbështetjen për të dënuarin për krime të luftës në Kosovë

Ministri i mbrojtjes i Serbisë, Aleksander Vulin, e ka përsëritur mbështetjen e tij për personin e dënuar për krime të luftës, duke e denoncuar ambasadorin amerikan nnë Beograd për postimin e tij kritik në rrjetin Twitter.

Minsitri Vulin e ka lavdëruar ish-gjeneralin, Vladimir Llazareviq, i cili është i dënuar me 14 vjet burg nga Tribunali i Hagës për Krime të Luftës, për mizoritë e kryera nga trupat serbe në Kosovë, gjatë goditjes kundër shqiptarëve në vititn 1999, raporton agjencia AP nga Beogradi.

Ambasadori amerikan në Serbi, Kyle Scott, në rrjetin Twitter ka shkruar se muajt e punës për ta përmirësuar imazhin e Serbisë në Shtetet e Bashkuara mund “të shkatërrohen me një deklaratë të vetme”. Ai i referohej Vulinit, i cili publikisht e lavdëroi Llazareviqin.

Minsitri Vulin i tha sot Televizionit proqeveritar Pink, se “gjenerali Llazareviq është njeri i nderuar dhe trim dhe nuk ka ushtri në botë, që do të hiqte dorë nga ai”.

Serbia mbron kriminelët e dënuar të luftës

Ministri serb i Punëve të jashtme Ivica Daçiç, tha të enjten se ambasadori amerikan sikurse edhe ambasadorët e tjerë nuk duhet të përzihet në punët e brendshme të Serbisë.

Ai i bëri këto komente pas reagimit të ambasadorit amerikan në Beograd, Kyle Scott, ndaj deklaratave të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, i cili lavdëroi ditë më parë një ish gjeneral serb për rolin e tij gjatë bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë në vitin 1999, duke theksuar se Serbia nuk ka nevojë të turpërohet më për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë në atë kohë.

Ministri serb Vulin fundjavën që lamë pas foli në një takim të ish ushtarakëve të batalionit të tretë të Armatës Jugosllave në të cilin morën pjesë edhe Vladimir Lazareviç, ish shef i shtabit të armatës jugosllave në Prishtinë dhe Nikola Shainoviç, ish zëvendëskryeministër i Jugosllavisë, që të dy të dënuar për krime lufte në Kosovë nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë.

Ambasadori amerikan, Kyle Scott shkroi në rrjetin social twitter se “për fat të keq, muaj të tërë të punës në përmirësimin e imazhit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara, mund të dëmtohen nga një deklaratë”.

Ministri serb, Vulin, tha se Serbia “nuk ka shkaktuar luftëra” dhe se ish gjenerali Lazareviç, është njeri i lirë.

Ish gjenerali serb Vladimir Lazareviç dhe politikani, Nikola Shainoviç, qenë dënuar për rolin e tyre në fushatën kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë së cilës i vranë mbi 10 mijë veta, u zhdukën mijëra të tjerë dhe u dëbuan mbi 800 mijë shqiptarë. Lufta gati dy vjeçare në Kosovë mori fund me ndërhyrjen e trupave të NATO-s.

Të enjten shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, tha se ambasadori amerikan nuk duhet të përzihet në punët e brendshme të Serbisë, ndërsa theksoi se deklaratat rreth të dënuarit të Hagës, Vladimir Lazareviç, nuk mund të dëmtojnë marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve. Duke theksuar se ai e ka “vuajtur dënimin me burg”, ministri serb tha se “kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj do ta vuaj atë, ndërsa Ante Gotovina është liruar nga aktakuza për krime dhe po bëhetë gati të bëhet president i Kroacisë, ndërsa e patë se tash edhe Naser Oriç, u lirua nga akuzat”, tha ai.

Komentet e ministrit serb Daçiç, bën gjatë punimeve të “Forumit të Beogradit për Siguri”, në të cilin po merr pjesë edhe zëvendës sekretarja e përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller, për të diskutuar në temën “Partneriteti NATO-Serbi, ndihmon sigurinë në Ballkanin Perëndimorë”.

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiç, tha në këtë forum se Serbia është partner i besueshëm i NATO-s, por, do të vazhdojë të mbetet e paanshme nga pikëpamja ushtarake.

Ajo ritheksoi synimin e Serbisë për integrime evropiane, por edhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Moskën, aleate tradicionale e Serbisë, një dëshirë e nacionalistëve serb që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës. Ajo tha se sfida kryesore e sigurisë është Kosova “të cilën Serbia e përjeton emocionalisht”.

Moska vazhdon të mbështesë pretendimet serbe mbi Kosovën dhe refuzon sikurse edhe Serbia të njohë pavarësinë e saj të shpallur në shkurt të vitit 2008. Megjithatë Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Moghernini, tha të mërkurën se pret përparim të dukshëm në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri në fund të vitit të ardhshëm.

Serbia hapi në janar të vitit 2014 bisedimet për anëtarësim si rezultat i bisedimeve me Kosovën e cila ndërkaq nënshkroi marrëveshjen e stabilizim asocimit me BE-në, por mbetet e fundit në rajon në proceset integruese.

Turqia, thirrje për normalizimin e marrëdhënieve me SHBA-në

Turqia bëri thirrje për normalizimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, pas shtimit të tensioneve diplomatike mes dy vendeve aleate të NATO-s.

“Ne duam që marrëdhëniet mes dy vendeve tona aleate t’i kthehen shpejt normalitetit. Vendi ynë nuk do të heqë dorë nga të sjellurit me prakticitet, në një kohë kur tensionet rajonale dhe globale janë rritur”, -tha kryeministri turk Binali Yildirim në një fjalim që mbajti para guvernatorëve provincialë në Ankara.

Marrëdhëniet mes të dy vendeve janë tensionuar së tepërmi pas arrestimit të një punonjësi lokal të Shteteve të Bashkuara në konsullatën amerikane në Turqi, Metin Topuz, nën akuzat për veprimtari terroriste dhe spiunazhi lidhur me grushtin e dështuar të shtetit të vitit të kaluar kundër Presidentit Recep Tayyip Erdogan. Këto tensione kanë rezultuar në kufizimin e konsiderueshëm të vizave nga të dyja palët.

Presidenti Erdogan të martën fajësoi personalisht Ambasadorin e SHBA në Turqi John Bass për tensionet. Erdogan po ashtu deklaroi se ambasadori Bass nuk do të konsiderohet si përfaqësuesi i ligjshëm i Uashingtonit. John Bass është në plan të largohet nga Turqia këtë javë, për një detyrë në re në Afganistan.

Uashingtoni i ka mbështetur me forcë veprimet e ambasadorit Bass, duke përsëritur kritikat për ndalimin e punonjësit lokal të konsullatës.

Vëzhguesit thonë se ky qëndrim i Uashingtonit ja ka mbyllur derën shpresave të Ankarasë për t’i dhënë fund krizës, duke fajësuar ambasadorin, në vend të Uashingtonit.

Media në Turqi njoftoi se Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu ka biseduar në telefon të mërkurën me homologun e tij amerikan, Rex Tillerson, por nuk janë bërë të njohura hollësitë e bisedës mes tyre.


Send this to a friend