VOAL

VOAL

Vuk Drashkoviçi: Oliver Ivanoviçi u ekzekutua sipas modelit të shërbimeve të Millosheviçit

Për vrasjen e lidert të Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanoviç, i cili u ekzekutua nga persona ende të pa identifikuar, ka reaguar edhe kryetari i Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe (SPO), Vuk Drashkoviç.

Vrasjen e tij ai e ka vlerësuar si terrorizëm politik, i kryer sipas modelit të shërbimeve të sigurisë së Millosheviçit nga vitet 1990.

Drashkoviç ka thënë se të shtënat në Oliver Ivanoviçin janë të shtëna në Marrëveshjen e Brukselit, dialogun e brendshëm të Serbisë për Kosovën, stabilitetin e rajonit dhe rrugën evropiane të Serbisë.

“Oliver Ivanoviç ka qenë zëri i arsyes, politikan i arsimuar dhe lider i serbëve të Kosovës, i përkushtuar për dialog me shqiptarët dhe promovues i respektimit të ligjit në hapësirën ku shumëkujt i ka penguar pikërisht për këtë”, ka theksuar lideri i SPO-së.

Drashkoviç ka shtuar se organet hetimore të Kosovës, EULEX-it dhe UNMIK-u, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet përgjegjëse të Serbisë, janë të detyruara që t’i zbulojnë kriminelët e këtij rasti.

Brnabiç: Nëse s’na lejojnë, do të hetojmë vetë vrasjen e Ivanoviçit

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, tha se vendi i saj është duke pritur përgjigjen nga misionet e Kombeve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian në Kosovë, në lidhje me kërkesën e autoriteteve serbe për t’u përfshirë në hetimin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviç, në veri të Mitrovicës.

“Kemi bërë një kërkesë në emër të Qeverisë së Serbisë për të marrë pjesë në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, të cilat po udhëhiqen nga autoritetet e Kosovës. Presim përgjigje nga misionet UNMIK dhe EULEX, të cilat janë të vendosura në Kosovë”, tha Brnabiq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

“Sigurisht se do të ofrojmë gjithë ndihmën e nevojshme për zbardhjen e këtij krimi të tmerrshëm. Nëse nuk lejohemi të marrim pjesë në hetime, do t’i bëjmë tonat. Megjithatë, kam shpresa të mëdha se do të ketë bashkëpunim dhe se Serbia do të marrë pjesë në hetime, së bashku me autoritetet e Kosovës”, shtoi Brnabiq.

Ivanoviq, udhëheqës i Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia“ në Kosovë, ka ndërruar jetë mëngjesin e së martës, pasi është qëlluar me armë zjarri në veri të Mitrovicës.

Pas vrasjes, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Serbisë është mbledhur në takim, nën udhëheqjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Zyra e Ivanoviqit në Mitrovicën e veriut.

Zyra e Ivanoviqit në Mitrovicën e veriut.

Brnabiq tha se në këtë takim, zyrtarët janë konsultuar edhe me agjencinë e inteligjencës dhe atë ushtarake dhe se ato do të bashkëpunojnë në hetimet eventuale nga autoritetet serbe.

“Gjëja më e rëndësishme është të gjejmë atë ose ata që e bënë këtë, t’i sjellim para drejtësisë, në mënyrë që të dënohen për atë që kanë bërë”, tha Brnabiq për Radion Evropa e Lirë.

Brnabiq po ashtu tha se nuk ka asnjë reagim të autoriteteve në Kosovë ndaj, siç u shpreh, kërcënimeve ndaj pakicës serbe që jeton në Kosovë.

“Nuk dua të paragjykoj për autorin e mundshëm dhe nuk pretendoj se shqiptarët janë përgjegjës për krimin. Por, dua të theksoj se nuk ka asnjë reagim nga zyrtarët kosovarë ndaj kërcënimeve që i drejtohen popullit serb. Serbia ka synime të sinqerta për përmirësimin e marrëdhënieve me Prishtinën, por ne nuk mund ta bëjmë këtë vetëm”, tha Brnabiq.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Prishtinë, tha se autoritetet kompetente janë angazhuar në zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit dhe se nuk i mirëpret deklaratat e askujt për ndërhyrjen në hetime. Haradinaj tha se FBI mund të thirret për ndihmë nëse është e nevojshme.

Përgatiti: Valona Tela

Vuçiçi: Serbia do të hetojë vrasjen e Ivanoviçit

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiçi, tha se vrasja e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviçi, është “akt terrorist”.
“Ky akt për shtetin e Serbisë është terrorist dhe si të tillë do ta trajtojmë”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd, pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë.
Vuçiq tha se i është dërguar letër misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, dhe atij të BE-së, EULEX, me kërkesën që organet shtetërore të Serbisë të marrin pjesë në kryerjen e hetimeve në Kosovë.
Ai tha se pret që Prokuroria për krim të organizuar të nisë sot procedurat paraprake dhe shtoi se, nëse kërkesa për pjesëmarrje nuk miratohet, Serbia do të kryejë një hetim të veçantë.
Ivanoviq ka vdekur mëngjesin e sotëm, pasi është qëlluar me armë zjarri para zyrës së tij në veri të Mitrovicës.

Vritet Ivanoviçi: Presidenti Vuçiç ndërpret bisedimet dhe bën paralajmërime

Delegacioni i Serbisë në Bruksel ka ndërprerë bisedimet që nisën sot dhe mësohet se ata do të kthehen me urgjencë në Beograd për shkak të vrasjes së liderit serb të SDP-së në Mitrovicë të Veriut, Oliver Ivanovic.

Gazeta “Blic” e Beogradit thotë se delegacioni i Serbisë i ka ndërprerë bisedimet në Bruksel, ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçic, gjithnjë sipas “Blicit”, ka caktuar takim urgjent të Këshillit të Sigurisë së Serbisë, transmeton Koha.net.

Kjo gazetë thotë se arsye e ndërprerjes së bisedimeve janë vrasja e Ivanovicit dhe kërcënimet e kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli.

Vuçic ka caktuar sot për në orën 12 takimin urgjent të Këshillit të Sigurisë së Serbisë ndërsa në orën 13 do t’u drejtohet mediave.

Ndërprerjen e bisedimeve në Bruksel e ka konfirmuar edhe delegacioni i Kosovës.

Turqia zbulon itinerarin e projektit Kanali i Stambollit

Kanali i Stambollit do të jetë rrugë paralele me Bosforin, që lidh Detin e Zi me Detin Marmara

ANKARA – Turqia të hënën e prezantoi rrugën “më të përshtatshme” për projektin Kanali i Stambollit (Kanal Istanbul), e cila është rrugë ujore artificiale paralele me Grykën e Bosforit, e cila do të lidhë Detin e Zi me Detin Marmara.

“Korridori Küçükcekmece-Sazlıdere-Durusu u zgjodh si rruga më e përshtatshme për Kanalin e Stambollit”, tha në një konferencë shtypi në Ankara ministri i Transportit, Detarisë dhe Komunikimit, Ahmet Arslan.

Arslan tha se gjatësia e kanalit do të jetë 45 kilometra.

Ai shtoi se rruga do të fillojë nga Liqeni i Küçükcekmeces, i cili ndodhet në mes të qarqeve të Esenyurt dhe Avcılar në anën evropiane të Stambollit.

Rruga parashihet të vazhdojë në veri duke kaluar nga Penda Sazlıdere e Stambollit dhe duke arritur në Detin e Zi nga lindja e Pendës Terkos, që ndodhet në fshatin Durusu të qarkut Çatalca të Stambollit.

Kanali do të sigurojë lehtësim për trafikun e transportit detar, veçanërisht për trafikun e tankerëve të naftës të cilët kalojnë përmes Bosforit. Ai do të ketë kapacitet prej 160 anijesh në ditë dhe është planifikuar të përfundojë deri në vitin 2023.

Arslan nuk dha informacione të mëtejshme në lidhje me koston e saktë të projektit, por shtoi se do të jetë “shumë më i madh” sesa projektet e tjera. aa

Aterrim pothuajse në det (video)

VOAL – Një avion i kompanisë turke të çmimeve të ulëta Pegasus me 162 pasagjerë në bord ka dalë nga pista (sot) të shtunën në Trabezund, në verilindje të Tuqisë, duke rrëshqitur përgjatë bregut të Detit të Zi. Të gjithë  njerëzit – ekuipazhi dhe pasagjerë – kanë shpëtuar shëndosh e mirë.

 

Arrijnë menjëherë ekipet e shpëtimit

Avioni vinte nga Ankaraja. Nuk dihen ende shkaqet e ngjarjes. Guvernatori lokal, Yucel Yavuz, ka bërë të ditur se është hapur një jhetim, njofton Sky News.

Aeroporti ka mbetur i mbyllur për disa orë dhe tani është sërish në punë.

SHBA ia refuzon vizën kreut të ushtrisë së Serbisë

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë tha sot se refuzimi i aplikimit për vizë nga SHBA, i kreut të ushtrisë së vendit do të ketë pasoja në marrdhëniet ushtarake mes dy vendeve.

Ministri Aleksander Vulin tha se ishte e paqartë se përse ambasada amerikane në Beograd kishte refuzuar vizën për gjeneralin Ljubisa Dikovic, i cili ishte ftuar në tetor në një konferencë në Washington mbi luftën ndaj grupeve terroriste.

Vulin tha se refuzimi i vizës për Dikovic nuk kontribuon në bashkëpunimin mes vendeve dhe lë një precedent të keq.
Ambasada amerikane ka refuzuar të komentojë mbi çështjen.

Disa grupe serbe të të drejtave të njeriut, kanë akuzuar Dikovic për krime lufte të kryera nga trupat e tij në vitet 1998-99 kundër luftëtarëve shqiptarë të Kosovës. Ai nuk është gjykuar asnjëherë për krimet.

Mundësi historike në 2018-ën për një marrëveshje me Kosovën

Viti që sapo filloi mund të shënojë arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë një zgjidhje çështjes së Kosovës, sipas kryeministres serbe, Ana Brnabiç.

“Ajo për të cilën po përpiqemi aktualisht është kërkimi i një zgjidhjeje afatgjatë, në mënyrë që të mos lëmë të ngrirë një konflikt të tillë për ata që do të vijnë pas nesh. Kemi një mundësi historike për të gjetur një zgjidhje dhe nëse nuk e shfrytëzojmë këtë shans në vitin 2018 nuk do të kemi të tjera në dekadat e ardhshme”, tha Brnabiç për të përditshmen britanike “The Economist”.

Në këtë intervistë, të publikuar edhe nga media në Beograd, kryeministrja preku edhe argumente të tjera përfshirë edhe atë të lirisë së medias në Serbi.

“Nuk e kuptoj se si është bërë një temë diskutimi. Mund të them me bindje të plotë se mbi median nuk ka pasur asnjë presion”, theksoi ajo, raporton ata.

Më pas Brnabiç ka ripërsëritur kritikat ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hage, që ndërpreu aktivitetin e saj në fund të vitit të kaluar, duke u shprehur se “një organizëm i tillë nuk ka bërë drejtësi dhe as nuk ka kontribuar në bashkimin mes vendeve të ish-Jugosllavisë”.

“Në Srebrenicë, nuk pati gjenocid, por u krye një krim i shëmtuar dhe është i papranueshmë imazhi që është krijuar për serbët dhe Serbinë duke u bazuar mbi këtë”, sipas Brnabiç.

“Të përpiqemi të shohim drejt të ardhmes, duke lënë të kaluarën pas. Ka gjenerata të reja që kanë shumë të përbashkëta. Gjyshi im ishte një kroat, jo një serb i Kroacisë, por një kroat i ishullit Krk. Aty kam kaluar fëmijërinë time dhe aty kam shumë miq, kemi shumë gjëra të përbashkëta”, vazhdon ajo. Ndërsa ndaj pyetjes nëse dëshironte një rikthim të ish-Jugosllavisë, kryeministrja sebre u përgjigj me një “jo” të thatë.

Grabar-Kitaroviç: “Kroacia e vlerëson mbështetjen e Turqisë në kohëra të vështira”

Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç tha se marrëdhëniet mes Zagrebit dhe Ankarasë janë “shumë të mira”

ANKARA – Kroacia e vlerëson mbështetjen e Turqisë gjatë “kohërave më të vështira”, tha presidentja e Koracisë Kolinda Grabar-Kitaroviç për Anadolu Agency (AA).

“Marrëdhëniet tona të ndërsjella janë shumë të mirë, nuk kemi ndonjë çështje të hapur. Në veçanti, nuk kemi ndonjë çështje serioze të hapur dhe gjithmonë e kemi vlerësuar shumë mbështetjen e Turqisë në Kroaci gjatë kohërave më të vështira”, tha Kitaroviç në vizitën e saj njëditore të punës në kryeqytetin e Turqisë, Ankara.

Kitaroviç u takua me homologun e saj turk Recep Tayyip Erdogan dhe diskutoi në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet ndërkombëtare.

“Siç kam thënë, marrëdhënia jonë bilaterale është shumë e mirë, por shoh shumë potencial për zhvillim të mëtejshëm”, tha presidentja kroate.

Ajo tha se vëllimi i tregtisë midis dy vendeve është rritur në rreth 350 milionë euro në nëntë muajt e parë të vitit 2017.

“Ajo që më së shumti e mirëpres është deklarata e presidentit Erdogan në Zagreb se shkëmbimi ynë tregtar duhet të arrijë në një miliardë dollarë. Kjo është ajo të cilën e synojmë”, shtoi ajo.

Kitaroviç tha se një nga hapat “e rëndësishëm” për arritjen e këtij qëllimi është themelimi i Odës Kroate të Ekonomisë, e cila do të hapet në Stamboll në vitin 2018.

Ajo shtoi se Zagrebi dhe Ankaraja kanë potenciale në fushat e industrisë ushqimore, blegtorisë, energjisë, ndërtimit dhe turizmit.

Ajo beson se takimet e mëtejshme dhe sjellja e delegacioneve të biznesit nga Kroacia në Turqi si dhe hulumtimi i më shumë mundësive nga biznesmenët turq në Kroaci do të rrisin investimet.

Integrimi i Turqisë në BE

Kitaroviç përsëriti se Turqia ka qenë vend mik i Kroacisë gjatë kohërave më të vështira dhe do të mbetet e tillë.

“Turqia ishte miku i Kroacisë kur miqtë ishin shumë të paktë”, tha ajo.

“Ne besojmë se është në interesin vital të BE-së që Turqia të mbahet në rrugën e BE-së”, shtoi ajo.

Turqia aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 1987, kurse bisedimet për pranim filluan në vitin 2005. Megjithatë, negociatat u bllokuan në vitin 2007 për shkak të kundërshtimeve të administratës greke qipriote në ishullin e ndarë të Qipros, si dhe kundërshtimit nga Gjermania dhe Franca.

Kitaroviç gjithashtu lavdëroi atë që Turqia ka bërë në lidhje me refugjatët sirianë.

Ajo shtoi se Kroacia ishte një nga vendet që u prek nga vala e refugjatëve që kaploi Evropën në vitin 2015 dhe në fillim të vitit 2016.

“Ne e çmojmë jashtëzakonisht atë që Turqia ka bërë në kujdesin për refugjatët sirianë dhe të tjerë”, tha ajo.

Turqia aktualisht strehon mbi tre milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë.

Serbia gati t’i japë statusin diplomatik qendrës ruse të spiunazhit në Nish

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Citaku, ka reaguar pas deklaratave të kryeministres serbe, Ana Brnabiç, për garantimin e statusit diplomatik të personelit të qendrës së ashtuquajtur humanitare serbo-ruse në Nish.

Ajo përmes rrjetit social, Twitter, ka kritikuar deklaratat e Brnabiq duke thënë që kjo qendër mund të quhet gjithcka tjetër përveç humanitare.
Serbia, edhe kohë më parë ishte kritikuar për këtë lëvizje të planifikuar, senatorët amerikanë gjatë një vizite në Serbi vitin e kaluar kishin thënë se shpresojnë që nuk do të ishte në të mirë të shtetit serb që kësaj qendre t’i jipet status diplomatik, duke shtuar se shpreson që Serbia nuk do ta bëjë një gjë të tillë për të mirën e saj.

Zyrtarët amerikanë që nga fillimi ishin të përkushtuar që një gjë e tillë të mos ndodhte për shkak se kjo Qendër e ashtuquajtur humanitare nga ta vlerësohet si një qendër spiunazhi Ruse, si dhe qendër që përdoret për qëllime politike.

Mirëpo ishte presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se “ne po bëjmë hapa në kuadër të interesit tonë dhe se ne nuk jemi të pambrojtur nga çfarëdo akti i agresionit”.

Deklaratat e fundit të kryeministres serbe, Brnabiç, ku tha se personelit të qendres humanitare i kemi borgj, për atë se çfarë kanë bërë në kohë të vështira për Serbinë, dhe se atyre do t’u garantohet statusi diplomatik risollën këtë çështje në aktualitet.

Një vendim i tillë pritet të sjellë reagime të shumta negative nga ana e ndërkombëtarëve, për arsye të instalimit të ndikimit shumë të madh Rus në Ballkan.

Erdogan dhe Grabar – Kitaroviç biseduan edhe mbi luftën kundër terrorizmit

Presidenti i Republikës së Turqisë Recep Tayyip Erdogan pas takimit në Ankara me presidenten e Kroacisë Kolinda Grabar – Kitaroviç theksoi se gjatë takimit është biseduar edhe për çështjen e luftës kundër terrorizmit

ANKARA – Presidenti i Republikës së Turqisë Recep Tayyip Erdoğan pas takimit në Ankara me presidenten e Kroacisë Kolinda Grabar – Kitaroviç theksoi se gjatë takimit është biseduar edhe për çështjen e luftës kundër terrorizmit.

“Me presidenten kemi diskutuar në detaje çështjen e luftës kundër terrorizmit dhe do t’i vazhdojmë përpjekjet tona me mbështetjen e miqve tanë për të zhdukur nga rrënjët organizatën terroriste FETO nga Ballkani. I falënderoj për ndjeshmërinë e tyre në këtë drejtim”.

Erdogan paralajmëroi samit liderësh të Turqisë, Kroacisë dhe BeH-së

Erdoğan deklaroi se një takim trepalësh i ministrave të punëve të jashtme të Turqisë, Kroacisë dhe Bosnjë e Hercegovinës (BHS) do të mbahet gjatë muajit të ardhshëm, ndërsa pas këtij takimi do të vijojë edhe samit i liderëve të të trija vendeve.

“Turqia dhe Kroacia dakord për forcimin shtesë të bashkëpunimit bilateral”

Erdoğan gjthashtu theksoi se është arritur pajtueshmëri për forcimin shtesë të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Ramë dakord për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis Turqisë dhe Kroacisë”, tha Erdoğan.

Dodik: Republika Sërpska dhe Serbia të jenë një

Në Banjallukë janë mbajtur manifestime me rastin e “Ditës së Republikës Sërpska”, edhe pse kjo ditë është shpallur e paligjshme nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës.
Ngjarjet në Banja Llukë, qendrën administrtative të entitetit serb, kanë kujtuar 9 janarin e vitit 1992, kur serbët e Bosnjës kanë shpallur themelimin e Republikës Sërpska.
Zyrtarët ndërkombëtarë dhe udhëheqësit politikë boshnjakë e kundërshtojnë këtë ditë, duke thënë se krijimi i Republikës Sërpska ka shënuar fillimin e luftës së Bosnjës më 1992-1995.
Në rrugët e Banja Llukës kanë parakaluar sot pjesëtarë të policisë speciale të Republikës Sërpska, pastaj pjesëtarë të Ministrisë së Brendshme, invalidë të luftës, zjarrfikës, studentë e të tjerë.
Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, tha se populli serb ka sot dy shtete: Republikën Sërpska dhe Serbinë.
“Dua që Republika Sërpska dhe Serbia të jenë një”, tha Dodik.

Presidentja e Kroacisë nesër vizitë në Turqi

Me rastin e vizitës në Ankara, Grabar Kitaroviç do të realizojë takim pune me presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan

ZAGREB – Presidentja e Republikës së Kroacisë, Kolinda Garabar Kitaroviç, nesër do të qëndrojë për vizitë pune njëditore në Republikën e Turqisë.

Me rastin e vizitës në Ankara, Kitaroviç do të realizojë takim pune me presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Nga Kabinetit i presidentes kroate gjithashtu bëhet e ditur se është paraparë edhe takim mes delegacioneve të Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Turqisë, si dhe adresim i dy presidentëve. aa

Vulin: Frika e krijimit të Gjykatës Speciale, faktor destabilizues për Kosovën

BEOGRAD – Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandër Vulin ka thënë se KFOR-i ka informuar se gjatë festave të Krishtlindjeve mund të kishte incidente në Zonën e Sigurisë Tokësore dhe në territorin e Kosovës.

 

Sipas tij, tashmë në bazën ushtarake serbe është bërë e ditur që të kontrollohet seriozisht gjithçka dhe se duhet shmangur çdo incident i mundshëm.

 

“Fërkimi politik në mesin e shqiptarëve në Prishtinë dhe frika e tyre e krijimit të Gjykatës Speciale është një faktor destabilizues, por kjo duhet të jetë përgjigje për komunitetin ndërkombëtar”, ka thënë Vulin, transmeton Indeksonline.

Ai tha se pavarësisht të gjithave formimi i Ushtrisë së Kosovës është i papranueshëm dhe se nuk pranojnë që të ekzistojë forcë tjetër e armatosur përpos KFOR-it në Kosovë.

Vendoset granatë në hekurudhën Beograd-Tivar, ndërpritet transporti

BEOGRAD -Për shkak të një granate dore të vendosur në hekurudhën Beograd-Tivar pranë Prijepoljes, komunikacioni në këtë pjesë të linjës hekurudhore u ndalua këtë pasdite, raportojnë mediat serbe.

 

Radiotelevizioni i Serbisë lajmëroi se një granatë dore është zbuluar tre kilometra nga qyteti, tek ura Ljupç.

 

Mediat theksuan se granata ishte vendosur afër hekurudhës dhe e lidhur me tel për shinat, ku u përgënjeshtrua nga policia serbe.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë konfirmuan se sonte në Prijepolje, afër shinave në hekurudhën Beograd-Tivar është gjetur një granatë dore.

MPB-ja serbe mohoi informacionet e mediave vendore se bomba ka qenë me tel e lidhur për shinat.

Theksojnë se komunikacioni në këtë pjesë hekurudhore është ndaluar dhe se në vazhdim është hetimi, ndërsa pritet arritja e ekipeve për heqjen e granatës së dorës.

Ministria theksoi se nuk ka kurrfarë rreziku mbi njerëzit dhe objektet.

KFOR-i na ka paralajmëruar për trazira në Kosovë

BEOGRAD – Shefi i Ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikovi ka thënë se Komandanti i KFOR-it i ka dhënë informacione se mund të ketë trazira në kufirin me Kosovën. Ai thënë se KFOR-i ka marrë të gjitha masat që mos të ndodh një ngjarje e tillë.

 

“Është me rëndësi të potencohet se shkëmbimi i informacioneve me KFOR-in, si subjekt i sigurisë përgjegjës për paqen në krahinën jugore serbe, është i përditshëm. Të premten kam folur me Komandantin e KFOR-it dhe kam marrë informacione të caktuara që në zonën tokësore të sigurisë mund të cenohet siguria sikurse edhe brenda territorit të Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Divkovic, shkruan RTS, transmeton Express.

 

Sipas tij, per momentin gjendja në kufirin me Kosovën është stabël.

“Për fat të mirë tani gjithçka është qetë dhe situatë stabël dhe jam i sigurt se KFOR-i i ka marrë të gjitha masat dhe kështu do të mbetet”, ka thënë Dikovic.

Daçiçi: Bisedime të vështira për Kosovën në vitin 2018

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar se viti 2018 nuk do të jetë vit vendimtar në të cilin do të zgjidhet çështja e Kosovës, por ka theksuar se do të ketë bisedime të vështira për një zgjidhje të përhershme.
Ai ka theksuar se në Kosovë “duhet të kuptohet se nuk ka zgjidhje pa marrëveshje me Beogradin, në të cilin askush nuk mund të bëjë presion që të pajtohet me zgjidhje, që nuk është në harmoni me interesat serbe”.
Mëtutje, siç raporton agjencia Beta nga Beogradi, zoti Daçiq ka thënë se askush ende nuk e dinë saktësisht se çka nënkupton marrëveshja juridikisht e obligueshme për normalizim të raporteve ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe ka theksuar se për këtë as që ka filluar të diskutohet.
Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se duhet të gjendet kompromis në interes të sërbëve dhe shqiptarëve dhe ka shtuar se Serbia nuk është e gatshme ta pranoj atë që dikush e ka shpallur në mënyrë “të njëanshme”.

Kotzias: Ligji i luftës me Shqipërinë, budallallëk historik. Greqia do përgjigjet

Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias ka folur edhe një herë për marrëdhënien me Shqipërisë.

Kotzias ka shprehur gatishmërinë e Athinës për shfuqizimin e ligjit të gjendjes së luftës me Shqipërinë.

 “Problemin me të madh që ndjejne shqiptarët, është se nuk është shfuqizuar mjaftueshëm zyrtarisht ligji i gjendjes së luftës, Greqia sigurisht do të përgjigjet . Dhe nuk mund të ketë asnjë pengesë formale, apo një  dyshim formal se të dy vendet janë në gjendje lufte. Këto janë budallalleqë historike dhe duhet të mbarojme me to”, ka deklaruar  Kotzias në një intervistë per gazeten greke Real News.

Vetëvrasja e Praljakut nuk ishte e parandalueshme

Slobodan Praljak

Një hetim i pavarur ka konfirmuar se Tribunali Ndërkombëtar për krime në ish-Jugosllavi nuk ka mundur të parandalojë të dënuarin për krime lufte, Slobodan Praljak, nga kryerja e vetëvrasjes gjatë seancës gjyqësore të transmetuar në television.

Raporti është publikuar nga Tribunali më 31 dhjetor, në të cilin thuhet se “pa ndonjë të dhënë specifike, nuk ka ndonjë masë e cila mund të kishte garantuar identifikimin e helmit në atë shkallë”.

“Rishikimi im nuk ka shfaqur ndonjë hapësirë apo mangësi të kornizës ligjore të Tribunalit sa i përket të burgosurve apo parimeve të këtij trupi, andaj nuk ka pasur ndonjë propozim të ndryshimit të rregulloreve apo ligjeve”, ka thënë autori i raportit, Hassan Jallow.

Praljak, 72 vjeçar ka pirë helmin cianid gjatë një transmetimi televiziv të senacës gjyqësore derisa i shqiptohej dënimi me 20 vite burg për krime të luftës.

Më vonë gjatë ditës ai ka vdekur si shkak i helmit.

Derisa prokurorët holandezë janë ende duke bërë hetime për incidentin, shkrimi i publikuar nuk tregonte detaje se si dhe kur Praljak kishe siguruar helmin si dhe nuk kishte të dhëna që tregonin paraprakisht se ai kishte ndonjë substancë të rrezikshme.

“Edhe nëse do të kishte informacione për helmin, natyra dhe sasia e substancës ishte e tillë, ashtu që shume lehtë mund të kishte mbetur e pavërejtshme edhe nëse do të ishte bërë kërkim i detajuar i personave, qelive apo hapësirave tjera”, është thënë në raport.

Ish komandati i forcave boshnjake gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë, është dënuar më 2013 për krimet si vrasje, persekutum dhe dëbim.

Ai ishte njëri nga gjashtë personat që po merrnin pjesë në gjykimin e 29 nëntorit për të dëgjuar vendimin e gjykatës pas apelit të vendimit të mëparshëm.

Kryeministrja serbe: Nuk e njohim Kosovën edhe nëse është kusht për hyrje në BE

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç ka theksuar se puna si shefe e ekzekutivit të Qeverisë ka dalë të jetë shumë më e vështirë se që e ka paramenduar ajo.

Në një intervistë të fundvitit për të përditshmen serbe “Politika”, Bërnabiç ka folur edhe për çështjen e Kosovës, anëtarësimin e vendit të saj në BE dhe ndërlidhjen e këtyre dyjave së bashku, transmeton Indeksonline.

“Rruga për në Bruksel përmes njohjes së Kosovës dhe sanksionet për Rusinë për ne janë krejtësisht çështje të mbyllura. BE është drejtimi ynë strategjik, por jo me çdo kusht”, ka thënë Bërnabiq.
Ajo tha se Serbinë e sheh mirë dhe se e di çfarë duhet bërë.
“Kam përkrahje të madhe nga Presidenti i Republikës”, tha ajo.

Vuçiçi: E pamundur që Kosova të fitojë ulëse në OKB pa marrëveshje historike

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiçi, thotë se “është e pamundshme”, që Kosova të fitojë ulëse në Kombet e Bashkuara, nëse “nuk arrijmë një lloj tjetër të marrëveshjes historike, me të cilën serbët do të ishin të kënaqur”.

Pa këtë marrëveshje, sipas tij është “absolutisht e papranueshme” që Kosova të ketë ulëse në OKB.

Mëtutje, në intervistën me rastin e Vitit të Ri për gazetën beogradase, Veçernje Novosti, presidenti Vuçiq ka theksuar se “nuk është optimist” se mund të arrihet marrëveshje me shqiptarët, duke vlerësuar se “gjasët për arritjen e marrëveshjes së pranuar nga të dy palët, mendoj se janë më pak se 5%” dhe se “pa fuqitë e mëdha kjo çështje është e pamundshme të zgjidhet”.

“Pavarësisht nga të gjitha, do të ishte çështje historike të arrjmë marrëveshje dhe pa konflikt”, tha Aleksandër Vuçiq.

Serbi: Janë gjetur 25 tonë materiale ilegale toksike

Pamje nga një fshat në afërsi të qytetit Obrenovac në Serbi

Zyrarët e Serbisë thonë se kanë zbuluar depo materiali me shkallë të lartë toksike, i vendosur në mënyrë ilegale në kontejnerë në një pronë private afër kryeqytetit, Beograd.

Ministria e ambientit e Serbisë ka njoftuar mbrëmë se depot e fshehta me afro 25 tonelata të mbeturinave kimike ishin vendosur në një gropë në territorin e qytetit Obrenovac, afro 50 kilometra në jugperëndim të Beogradit.

Një zyrtar i ambientit u tha gazetarëve se ky aksion i policisë ka ndihmuar në shmangien e një “katastrofe ambientale”.

Zyrtarët thanë se po zhvillohen teste për të përcaktuar nëse këto mbeturina e kanë helmuar tokën dhe puset në afërsi.

Policia tha se pronari i kapacitetit, ku është gjetur ky material, është arrestuar dhe ai mund të ballafaqohet me akuza për rrezikim të sigurisë publike.

 

Gjuriçi: Nuk më habit nervozizmi i politikanëve kosovarë për Specialen

PRISHTINE- Pas tentativave për të shfuqizuar Gjykatën Speciale në Kosovë, ka reaguar drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç. Ky i fundit deklaroi se disa persona që prej 17 vitesh janë duke u munduar që t’i shmangen përgjegjësive, raportojnë mediat serbe.

“Lëndët e krimeve të luftës nuk vjetërsohen. Mund të tentojnë të blejnë kohë edhe disa muaj apo edhe ndonjë vit, por herët apo vonë e vërteta se çfarë ka ndodhur do të dalë në dritë”, ka shtuar Gjuriç, transmeton Telegrafi. Para disa muajsh, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, teksa po merrte pjesë në organizimin e organizatave joqeveritare me temën “perceptimin i Gjykatës Speciale”, tha se Gjykata Speciale ishte nevojë që t’i kënaqnim aktorët ndërkombëtarë.

“Vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale erdhi si nevojë politike ndërkombëtare sesa për drejtësi. Pranimi ynë erdhi me arsyetimin se duhet të kënaq aktorët tjerë që kjo çështje të mos delegohet te Kombet e Bashkuara”, tha ai.

Meta i jep shtetësinë Janullatosit, reagon ministri grek Kotzias

Pas lajmit se Presidenti Ilir Meta i ka dhënë shtetësinë kryepeshkopit Anastas Janullatos ka ardhur dhe reagim i parë nga Greqia zyrtare.

Minsitri i Jashtëm Niko Kotzias në rrjetet sociale ka shkruar se ky është një vendim për forcimin e besimit mes dy popujve.

“Ky ishte një vendim që njeh kontributin e tij të thellë njerëzor dhe për forcimi ne besimit ndërmjet dy popujve tanë,” tha Kotzias.

Presidenti i vendit Ilir Meta në prag të Krishtlindjeve i bëri “dhuratë” shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos.

Rreth 700 000 refugjatë ndodhen në kampet në kufirin Turqi-Siri

Numri më i madh i këtyre kampeve nuk ka furnizim me ujë dhe energji elektrike, prandaj ekzistenca e tyre varet ekskluzivisht nga ndihma e cila mbërrin nga Turqia

HATAJ – Refugjatët sirianë të cilët me fillimin e luftës në vendlindjen e tyre janë larguar në zonat në afërsi të kufirit me Turqinë, kanë mbijetuar vetëm falë ndihmave humanitare.

Një numër i madh i refugjatëve janë vendosur në afërsi të kufirit me Turqinë, ku jetojnë në tenda, ndërsa numri i tendave në qarqet Altinozu, Reyhanli dhe Yayladagi të cilat i takojnë krahinës turke Hatay arrin në disa mijëra.

Numri më i madh i këtyre kampeve nuk ka furnizim me ujë dhe energji elektrike, prandaj ekzistenca e tyre varet ekskluzivisht nga ndihma e cila mbërrin nga Turqia.

Muhammed Komurcu, është një shpërndarës i ndihmave, dhe sipas tij, nga shkaku i luftës në Siri e cila tashmë ka hyrë në vitin e shtatë, qindra mijëra persona janë shpërngulur brenda dhe jashtë vendit. Siç thotë ai, migrimi i brendshëm është më i theksuar në Idlib dhe Latakia.

”Gjatë këtyre shtatë viteve, njerëzit kryesisht iknin në kufirin me Hatay, meqë e llogarisnin për një zonë të sigurt. Nga shkaku i sulmeve ata nuk mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre, dhe kështu numri i tendave sa vinte e shtohej”, tha Komurcu.

Ai veçoi kampin Atme, në kufi mes Reyhanlit turk dhe Idlibit sirian, si dhe kampet në Derkus dhe Hiribticoz. ”Në bazë të shifrave tona, numri i njerëzve të cilët jetojnë në rreth 400 kampet në zonat kufitare ka shkuar në mbi 700.000”, tha Komurcu. aa

Zaev: I gatshëm të tërhiqem nga pretendimet për Aleksandrin e Madh

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, tha se është i gatshëm të tërhiqet nga pretendimi i vendit të tij për trashëgiminë e Aleksandrit të Madh, për të ndihmuar në zgjidhjen e kontestit të gjatë 26 vjeçar me Greqinë fqinje për emrin e Maqedonisë.

“Tërhiqem nga pretendimi që Maqedonia është trashëguese e vetme e Aleksandrit. Historia nuk na takon vetëm neve, por po ashtu, edhe Greqisë dhe shumë vendeve të tjera”, tha Zoran Zaev, gjatë një interviste televizive mbrëmë vonë.

Prej pavarësisë së saj nga Jugosllavia në vitin 1991, Maqedonia ka pretenduar së paku një pjesë të trashëgimisë ndaj sunduesit më të njohur të Mbretërisë së Maqedonisë së lashtë, duke i zemëruar grekët, të cilët emrin “Maqedonia” e shohin si pretendim të fshehtë territorial kundër rajonit grek me të njejtin emër, raporton agjencia AP nga Shkupi.

Rrjedhimisht, Greqia i ka paraqitur veto anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

Presidenti serb Vuçiç hap televizion në Kosovë

PRISHTINË – Në vazhdën e investimeve direkte të Serbisë në Kosovë, për të influencuar propaganden serbe, presidenti serb, Aleksander Vuçiç, përmes njerëzve të tij, së fundmi ka hapur një televizion në Graçanicë, që është pak kilometra larg kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës.

 

Licenca për hapjen e këtij televizioni është dhënë nga Komisioni i Pavarur i Medieve. Televizioni me emrin ‘TV Gracanica’ për pronar ka Sasa Micicin që është njeri i shefit të zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Djuric. Ndërsa, Djuric është ura kryesore komunikuese dhe organizative e presidentit Vuçiçi me serbët e Kosovës.

aaa-16-768x548_1513953372-4306152
Kjo media siç mëson Gazeta Metro, është e ngjashme me ‘TV Most’ me bazë në Mitrovicën Veriore, i cili financohet edhe nga Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, e drejtuar nga Djuric.

Si dëshmi është edhe kjo foto, ku Djuric shihet së bashku me drejtoreshën e Radio Gracanica, Sladjana Ivacevic, që ishte hapi i parë, para se të fillohej projekti i televizionit. Ajo, gjithashtu është edhe kushërira e tij.
6BN
(BalkanWeb)

Turqi, gjendet hamami i lashtë 9 shekuj

Kryetari i gërmimeve në zonën arkeologjike Harran, Mehmet Önal, tha për gazetarët se hamami i përket periudhës së Dinastisë Zengide dhe shtetit Ejubid

SHANLIURFA – Në zonën arkeologjike Harran në provincën Şanliurfa të Turqisë arkeologët kanë gjetur një hamam i cili i përket shekullit 12 ose 13.

Si rezultat i gërmimeve arkeologjike brenda mureve të pallatit në qytetin antik Harran, një nga vendbanimet më të lashta në botë, që nga vitet gjashtë mijë para erës sonë, i cili ishte edhe kryeqendër e asirianëve dhe emevitëve, është gjetur hamam me kupola që i përket periudhës së shtetit Ejubid, rreth 900 vite më parë.

Kryetari i gërmimeve në zonën arkeologjike Harrna, Mehmet Önal, tha për gazetarët se hamami i përket periudhës së Dinastisë Zengide dhe shtetit Ejubid.

Ai theksoi se hamami ka tri kupola, duke shtuar se kupolat janë të ruajtura pjesërisht, ndërkohë që muret e dhomave tërësisht. Ai thekson se hamami përmban çezma, pishina të rrumbullakëta, vende për ngrohje, dhoma private si dhe gypa për ujë të ngrohtë dhe të ftohtë.

“Ibn Shedad, i cili ka shëtitur në Harran në shekullin 13, flet për 14 hamamë në Harran. Prej tyre, dy janë gjetur si rezultat u gërmimeve që i kemi zhvilluar”, tha Önal.

Önal vuri në dukje se Mahmut Zengi, kreu i Dinastisë Zengide, dhe Salahudin Ejubi kanë ardhur në Harran.

“Nuredin Mahmut Zengi dhe Salahudin Ejubi duhet të jenë larë në hamamin e pallatit”, u shpreh Önal, duke shtuar se me projektet që do të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm, para vizitorëve do të shfaqin mbetje mahnitëse të pallatit, salloneve dhe veprave relievike në të.

Në ndërkohë, kryebashkiaku i Şanliurfas, Nihat Çiftçi dhe guvernatori Abdullah Erin, theksojnë se Harran është vend i rëndësishëm historik dhe se besojnë se gërmimet arkeologjike do të ndihmojnë në rritjen e turizmit në këtë vend.

Athina tronditet nga një sulm terrorist, i vendoset bombë Gjykatës së Apelit (FOTOT)

ATHINE- Sulm terrorist në Gjykatën e Apelit në Athinë. Mësohet se një bombë ka shpërthyer në orën 03:35 të mëngjesit të sotëm. Mediat greke raportojnë se nga shpërthimi u shkaktuan dëme të mëdha materiale.

 

Nga të dhënat paraprake mësohet se bomba ishte vendosur në një çante nga 4 persona, në hyrje të gjykatës. Terroristët kishin zbritur nga një furgon, ndërsa dy prej tyre kishin vendosur në godinë mjet shpërthyes.

Ndërkohë, njëri nga terroristet qëlloi me armë dhe plagosi rende rojën e Gjykatës se Apelit. Në orën 02:35 ata telefonuan dy gazeta për të paralajmëruar për shpërthimin.

Sakaq, dyshohet se pas sulmit fshihet organizata terroriste “OLA” ose organizata “Kryengritja”. Ministria e Drejtësisë Kondonis dënon aktin terrorist. “Donin te vrisnin rojen, nje njeri ne krye te detyres. Sulm ndaj demokracise”, deklaroi ai ne ERT.
efeteio_mera5-768x480

efeteio_mera7-768x524
efeteio_mera5-768x480

25348342_1699917146707162_7447522544293043023_n

25498026_1699917240040486_2799960964193490100_n

25508050_1699917333373810_3829669829802049877_n

25551834_1699917100040500_3456448920446761338_n

Serbia fillon ndërtimin e “Autostradës së Paqes” Nish-Prishtinë-Durrës

BEOGRAD- Serbia do të fillojë vitin e ardhshëm ndërtimin e seksionit të parë të së ashtuquajturës “Autostrada e Paqes” Nish-Prishtinë-Durrës, deklaroi zëvendëskryeministrja serbe, njëkohësisht edhe ministre e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Zorana Mihajloviç.

“Seksioni Nish-Ploçnik është 36 kilometra i gjatë, ndërkohë që i gjithë projekti kushton 212 milionë euro”, deklaroi Mihajloviç duke shtuar se të dhënat financiare ishin ende paraprake.

“Ky seksion do të ndërtohet me ndihmën edhe të Bankës Evropiane të Investimeve (EIB) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)”, shtoi ajo.

Mihajloviç tha se projekti i dokumentacionit ishte financuar nga Fondi i Ballkanit Perëndimor.

“Nuk ka rrugë që nuk është domethënëse për Serbinë. Kjo rrugë nënkupton lidhjen me rajonin. Serbia nuk ka det dhe kjo është arsyeja që ajo ka nevojë për porte”, deklaroi zëvendëskryeministrja serbe.

Oferta imobiliare e Greqisë për rusët e kinezët: Bli shtëpi dhe të jepet pasaportë

Bilanci i tregut imobiliar në Greqi po “shpërthen” teksa oligarkët rusë dhe kinezë po nxitojnë të rrëmbejnë një shtëpi të bukur me pamje nga Partenoni, blerje e cila është një “vizë e artë” sa i përket lëvizjes, pasi i lejon për të hyrë në Evropë si një vend anëtar i Shengenit, pra pa kontrolle doganore.

George Kachmazov, një agjent i pasurive të patundshme ruse, raporton për Bloomberg, se bleu një pronë në Athinë.

Mes rusëve dhe grekëve lidhjet kulturore janë të forta, edhe për shkak të fesë së përbashkët ortodokse dhe alfabetit të ngjashëm.

Një rrezik? Realisht jo. Për Kachmazov, plani i shitjes është i qartë: blerja e pronës në Greqi mund t’i japin investitorit një të ashtuquajtur “vizë të artë”, një pasaportë grekë e rezervuar për një të huaj që bën një blerje të pasurive të patundshme në vendin përkatës, dhe me të përfiton lëvizjen në pjesën më të madhe të Evropës.

Përveç kësaj, tregu i pasurive të paluajtshme të Greqisë mund të jetë gati për një kthim të investimit, duke ndihmuar blerësit të fitojnë para me blerjen e tyre, me një fitim të mirë kapital.

“Tregu i pasurive të patundshme në Greqi është një nga të paktët në Evropë që ende nuk është shëruar nga kriza e rëndë ekonomike e vitit 2008,” tha Kachmazov në një intervistë në Athinë. “Çmimet në Spanjë, Portugali, Irlandë, Poloni dhe Hungari po shkojnë drejt niveleve para krizës për shkak të likuiditetit të lartë të lëshuar nga BQE në Evropë”, tha ai.

Kachmazov është në mesin e agjencive të pasurive të paluajtshme që ndihmon blerësit e interesuar për prona në Greqi, ata nga Rusia, Kina, Turqia dhe vende të tjera, të gatshëm për të investuar në një treg që mund të jetë në prag të një zgjimi, ndërsa vendi është duke u përgatitur për të dalë nga programi i saj i shpëtimit në gusht 2018 dhe kështu kthehet në tregun ndërkombëtar të kapitaleve.

Çmimet e pronës në Greqi ranë me më shumë se 25 për qind, që nga kriza e borxhit evropian që filloi në vitin 2008. Çmimet për apartamente në Athinë brenda pesë viteve u ulën me 45 për qind, në mes të 2008 dhe qershorit 2017, sipas të dhënave të Bankës së Greqisë, udhëhequr nga Janis Sturnaras, ish-ministri i Financave i qeverisë së dikurshme të Antonis Samaras, shkruan “il Sole 24 Ore”.

Viza e BE-së
Kërkesa për prona në Greqi nga blerësit kinezë u rrit me pothuajse 159% në tremujorin e tretë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Për investitorët kinezë, marrja e vizave për banorët është arsyeja kryesore për të investuar në vend, tha Carrie Law, drejtuesi i agjencisë së pasurive të patundshme.

“Është një nga vizat më të kërkuara që lejon që investimet e pasurive të paluajtshme të përdoren për të arritur shtetësinë europiane. Përveç kësaj, Greqia është tre deri në katër orë më afër nga ana ajrore në Kinë se sa Barcelona dhe Lisbona, dy qytete të tjera shumë të njohura në vendet që kanë histori sa i përket investimeve interesante, sipas tij. Duke mos harruar të përmendet se prania ekonomike kineze në vendin e Mesdheut është shumë e fortë, vetëm kujtoni se porti i Pireut është në duart e kompanisë Cosco”, tha ai.

Greqia ka dhënë 2.053 “viza të arta” ndërmjet 2013 dhe tetorit 2017, për investitorë kinezë që përfaqësojnë 43%, sipas agjencisë shtetërore përgjegjëse për nxitjen e investimeve dhe eksporteve. Rusët janë në vendin e dytë me 18.6 për qind dhe investitorët e Turqisë fqinje në vendin e tretë me 8.4 për qind. Greqia ka përfituar mbi 513 milionë euro investimeve të huaja nga programi “viza e artë”./monitor/

Demarkacioni, Kryeministri i Malit të Zi do të vizitojë Kosovën

Një zgjidhje për çështjen e komplikuar të demarkacionit që po e mban peng liberalizimin e vizave, mund të gjendet pas disa javësh.

Burime të Express bëjnë me dije se muajin e ardhshëm Kosovën pritet ta vizitojë kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markovic, me ftesë të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kriza ka shkaktuar nga çështja e demarkacionit mund të nis të zgjidhet pas disa javësh.

Kryeministri i Malit të Zi pritet të qëndrojë në Kosovë nga data 20 deri më 30 janar vitin e ardhshëm, merr vesh Gazeta Express nga burimet.

Mbrëmë Haradinaj ka qëndruar në Bruksel, ku ka takuar shefin e Qeverisë së Malit të Zi, i cili po ashtu ka qëndruar në Kryeqytetin europian bashkë me 6 kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi është dërguar në Kuvend, por ende nuk është nxjerrë në rend dite.

Bashkë me të është dërguar edhe një raport i haruat nga Komisioni Bulliqi, ku thuhet se Kosova ka humbur tokë nga kjo marrëveshje.

Nuk dihet ende se kur do ta kenë deputetët e Kuvendit të Kosovës në agjendë këtë cështje.

Sido që të jetë koalicioni aktual, sipas kryeministrit Haradinaj e ka të vështirë t’i sigurojë 2/3 e votave të nevojshme për miratimin e kësaj marrëveshjeje.

Haradinaj para nisjes në Bruksel ka deklaruar se vizita e tij në Bruksel do të sjellë një lajm rreth kësaj teme.

Mbetet të shihet se cili do të jetë reagimi i Malit të Zi për demarkacionin, kur dihet se zyrtarët e këtij shteti vazhdimisht kanë përsëritur se demarkacioni është temë kryer për ta.

Kotzias: Vendimi i qeverisë shqiptare për varret e ushtarëve grekë, një hap i madh besimi

ATHINË – Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias përshëndeti vendimin e qeverisë shqiptare për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë, të vrarë në malet e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore duke e konsideruar një hap të madh besimi mes dy palëve, njoftoi “greekreporter”.

“Vendimi tregoi se diplomacia mund të arrijë më shumë sesa të bërtiturat pa kuptim”, iu përgjigj Kotzias një pyetje gjatë një deklarate të përbashkët me homologun e tij afgan, Salahuddin Rabbani, i cili ndodhet për një vizitë në Greqi.

Duke përshëndetur njoftimin e qeverisë shqiptare për një ligj që rregullon çështjen e ushtarëve dhe oficerëve grekë të rënë në Shqipëri, ndërkohë që po luftonin përkrah trupave të Boshtit, Kotzias theksoi se kemi të bëjmë me një hap shumë pozitiv përpara, që vjen pas rindërtimit të kishës së vogël të “Shën Thanasit” që u dëmtua vitin e kaluar në Himarë dhe që u financua nga qeveria shqiptare.

Vuçiç: Serbia e përkushtuar për zhvillimin e marrëdhënieve politike me Rusinë

Presidenti i Serbisë, Vuçiç sot në Moskë u takua me Zëvendëskryeministrin e Qeverisë të Federatës Ruse Dmitry Rogozin me të cilin diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe, situatën në rajon dhe bashkëpunimin ekonomik

MOSKË – Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç sot në Moskë u takua me Zëvendëskryeministrin e Qeverisë të Federatës Ruse Dmitry Rogozin me të cilin diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe, situatën në rajon dhe bashkëpunimin ekonomik.

Vuçiç ka theksuar se Serbia fuqimisht është e përkushtuar për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike me Federatën Ruse në bazë të partneritetit strategjik dhe gatishmërinë e të dyja palëve për thellimin e mëtejshëm në të gjitha fushat.

Ai u shpreh i kënaqur me dinamikën e arritur të takimit në nivel të lartë dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e fortë dhe të qëndrueshme të Rusisë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë, njofton Zyra e Presidentit të Serbisë.

Vuçiç shtoi se është shumë e rëndësishme që Serbia të vazhdojë të shkëmbejë rregullisht informacion me Rusinë dhe të koordinojë aktivitetet në organizatat ndërkombëtare rreth çështjes së Kosovës.

Ai vuri në dukje se Rusia është një nga partnerët strategjikë ekonomikë dhe të tregtisë së jashtme të Serbisë. Ai diskutoi gjithashtu faktin se shkëmbimi i përgjithshëm tregtar në vitin 2016 arriti në 2.3 miliardë dollarë amerikanë, duke shtuar se në periudhën e ardhshme Serbia do të përqendrojë vëmendjen në forcimin e bashkëpunimit ekonomik me Rusinë, për të shfrytëzuar privilegjet e marrëveshjes për tregti të lirë.

“Ne duam që bashkëpunimi ekzistues në fushën e energjisë, bujqësisë, telekomunikacionit dhe fushave të tjera të përmirësohet dhe forcohet. Serbia është e interesuar për furnizim të qëndrueshëm të energjisë për të mundësuar sigurinë e energjisë së vendit”, përfundoi Vuçiç. aa

Mbesa e Goce Dellçevit pranon idenë se Çento donte të bashkojë Maqedoninë me Bullgarinë

 

Ish sekretarja e Presidentit të parë të Maqedonisë, Metoja Andonov Çento, njëherit edhe mbesa e Goce Dellçevit në një intervistë të dhënë për mediat bullgare ka pohuar se përkushtim i Çentos nuk ka qenë bashkimi i Maqedonisë me federatën jugosllave, por qëllim ka pasur që Maqedonia të bashkohet me Bullgarinë, dhe për këtë shkak e kanë dënuar me 11 vite burg

“Unë jam e vetmja që kam ngelur gjallë këto 93 vite. I kam mbijetuar të gjitha, jo pse isha rrugaçe. por, pse isha luftëtare të gjithë jetën time. Këtu i kam të gjitha punët e pista që janë shkruar për mua.Kam qenë sekretare e Presidentit të parë të Maqedonisë, Metodija Andonov Çento. Përkushtimi i tij nuk ishte bashkimi më Federatën e Jugosllavisë, por përkushim ai ka pasur bashkimin e Maqedonisë më Bullgarinë. E dënuan më 11 vite burg, nëntë i vuajti dhe vdiq si njeri. Unë kam dy libra për këtë gjë. Ja këtu i kam. Mund edhe ti lexoni.”, thotë mbesa e Goce Dellçevit, Katerina Trajkova Nurxhieva./TetovaPress.

Turqi, shpërndahen tekstet e para shkollore të lëndës së gjuhës shqipe

ANKARA – Tekstet e para shkollore dhe materialet mësimore të përgatitura nga Ministria e Arsimit e Turqisë për lëndën e gjuhës shqipe, e cila u fut në planprogramin mësimor si lëndë zgjedhore, u janë shpërndarë nxënësve.

Sipas të dhënave të siguruara nga AA, Ministria e Arsimit dhe Universiteti i Thrakisë më 21 tetor të vitit të kaluar kishin firmosur protokoll bashkëpunimi për mësimin e gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake në kuadër të lëndës zgjedhore Gjuhë dhe Dialekte të Gjalla.

Si rrjedhojë, planprogrami për gjuhën shqipe dhe boshnjake për klasat 5, 6, 7 dhe 8 të shkollave të mesme të ulëta (sipas sistemit arsimor në Turqi) u pranua për t’u zbatuar si lëndë zgjedhore duke filluar nga viti akademik 2017-2018, pas miratimit të Bordi Edukativ Arsimor i Turqisë.

Muajin e kaluar, mes Ministrisë së Arsimit dhe Rektoratit të Universitetit të Thrakisë u nënshkrua marrëveshje për dhurim lidhur me përgatitjen e teksteve dhe materialeve shkollore për lëndën e gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake.

Tekstet dhe materialet shkollore të gjuhës shqipe, të përgatitura nga një komision në kuadër të Rektoratit të Universitetit të Thrakisë, janë miratuar edhe nga ministria.

Tekstet u ndanë për nxënësit e klasës së tetë

Lënda e gjuhës shqipe është zgjedhur nga 44 nxënës në Shkollën “Alija Izetbegoviç” në Kemalpasha të Izmirit. Nxënësve të kësaj shkolle librat e gjuhës shqipe u shpërndanë pa pagesë.

Nxënësit do të kenë mundësi të mësojnë lëndën e gjuhës shqipe për dy orë në javë, duke u mbështetur me kurse shtesë gjatë fundjavës.

Po ashtu, Drejtoria Lokale e Arsimit në Kemalpasha dhe Shoqata Kulturore Shqiptare në Turgutlu këtë muaj kanë firmosur protokoll për hapjen e kursit të gjuhës shqipe. Ligjërimi në këto kurse mbështetëse të fundjavës do të bëhet nga një mësimdhënës i lindur në Shqipëri.

Ndërkohë, së shpejti pritet edhe shpërndarja e teksteve për lëndën e gjuhës boshnjake, të cilat aktualisht janë në procedurën e shtypjes, ndërsa ende vazhdon përgatitja e materialeve mësimore për këtë lëndë.

Rreth 500 refugjatë në Serbi po jetojnë nën qiell të hapur

Pamje nga një kamp në Serbi

Të paktën 500 refugjatë dhe emigrantë janë duke jetuar në Serbi në kushte të improvizuara apo nën qiell të hapur, ndonëse moti po fillon të ashpërsohet çdo ditë, ka thënë anëtarë të organizatës, Mjekët pa Kufij.

Më shumë se 100 emigrantë jetojnë në zonën e Soborit në veri të Serbisë, është thënë nga organizata me bazë në Francë.

Emigrantët kanë thënë se dëshirojnë të kërkojnë ndihmë në kampet e ofruara nga shteti mirëpo frikësohen se mund të largohen nga vendi, pasi ata planifikojnë që të vazhdojnë rrugëtimin e tyre për të arritur në vendet e Evropës Perëndimore.

Komisariati serb për refugjatë, i cili është përgjegjës për kujdesin ndaj refugjatëve dhe imigrantëve, konsideron se ka mjaftueshëm hapësira për ata që paraqiten në qendrat për emigrim në Serbi.

Sipas të dhënave zyrtare në këto qendra aktualisht banojnë 4,150 persona.

Daçiçi: Kosova është Jerusalemi i Serbisë

Ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç ka deklaruar se Serbia dhe Izraeli kanë marrëdhënie miqësore me traditë të pasur dhe se Kosova është Jerusalemi serb.

“Kosova është Jerusalemi ynë”, tha sot Daçiq në fillim të një konference në Beograd, me rastin e 25 vjetorit të vendosjes së raporteve diplomatike ndërmjet Izraelit dhe Jugollavisë, e pastaj Serbisë, raporton agjencia Beta.

Mëtutje, ai ka theksuar se Serbia e çmon qëndrimin parimor të Izraelit për mospranimin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, dhe kjo, sipas Daçiqit, “reflekton pozitivisht në cilësinë dhe përmbajtjen e raporteve të përgjithshme” ndërmjet dy vendeve.

Ambasadorja e Izraelit në Beograd, Alona Fisher-Kamm, gjatë fjalimit të saj në këtë tubim, e ka falënderuar Serbinë për “drejtimin në të cilin shkojnë raportet në të mirë të dy popujve”. Ajo ka theksuar se këmbimi i mallrave dhe investimet izraelite në Serbi janë rritur.

Erdogan kërkon njohjen e Jerusalemit kryeqytet palestinez

Recep Tayyip Erdogan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u ka bërë thirrje vendeve nga e gjithë bota, që ta njohin “Jerusalemin e okupuar si kryeqytet të Palestinës”, në përgjigje të njohjes së këtij qyteti të ndarë nga Shtetet e Bashkuara, si kryeqytet të Izraelit.

Duke e hapur samitin e Organizatës për bashkëpunim islamik (OIC) sot në Stamboll, zoti Erdogan tha se Jerusalemi është “vijë e kuqe” për myslimanët, të cilët nuk do të pranojnë çfarëdo agresioni kundër vendeve të shenjta islamike.

Ai po ashtu, e ka kritikuar ashpër Izraelin, duke e cilësuar si “shtet terrori”.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, e ka përsëritur qëndrimin e tij se lëvizja e Shteteve të Bashkuara, e ka përfunduar rolin e Uashingtonit si ndërmjetësues i paqes në Lindjen e Mesme.


Send this to a friend