VOAL

VOAL

Protestë qindramijëshe në Greqi për çështjen e emrit të Maqedonisë

Protestuesit të cilët kundërshtuan një emër të mundshëm ku përmendet “Maqedonia”, në bisedimet mes Qeverive së Greqisë dhe Qeverisë së Maqedonisë, u mblodhën në Sheshin “Sintagma” në qendër të kryeqytetit grek

ATHINË – Qindra mijëra persona sot u mblodhën në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, për të protestuar për “çështjen e emrit” me Maqedoninë.

Protestuesit të cilët kundërshtuan një emër të mundshëm ku përmendet “Maqedonia”, në bisedimet mes Qeverive të Greqisë dhe Qeverisë së Maqedonisë, u mblodhën në Sheshin “Sintagma” në qendër të kryeqytetit grek.

Protestuesit të cilat erdhën në qytet me qindra autobusë nga vendet e ndryshme të Greqisë, mbanin pankarte “Maqedonia është Greke, hiqni duart nga Maqedonia”, ndërsa gjithashtu mbanin edhe flamuj grekë. Në demonstratën të mbështetur edhe nga kisha greke, morën pjesë shumë priftërinj dhe zyrtarë fetar.

Ndërsa nga jeta politike morën pjesë anëtarë të shumtë të djathtës ekstreme Agimi i Artë, partia opozitare Demokracia e Re dhe partneri i vogël qeveritar Grekët e Pavarur (ANEL).

Nën platformën e flamurit gjigand grek të vendosur në shesh me ndihmën e vinçit, mbajti fjalim edhe Mikis Theodorakis, kompozitori i famshëm dhe një nga emrat simbol në luftën kundër juntës.

Theodorakis duke theksuar se Qeveria e Greqisë nuk duhet të pranojë një emër ku përmendet “Maqedonia” dhe se duhet të shkojë në referendum për këtë çështje, tha se “Me votën tonë dëshirojnë të jenë anëtarë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Pastaj në mënyrë më të fuqishme do të na kërcënojnë. Nëse marrim hap prapa do të dënohemi me këtë fat që do të ketë pasoja tragjike”.

Gjatë protestës ku u morën masa të gjera të sigurisë, rreth një mijë policë ishin në detyrë në pika të ndryshme, ndërsa rrugët që dalin në qendrën e qytetit u mbyllën për hyrje dhe dalje me autobusë të policisë. Policia njoftoi se numri i pjesëmarrësve në protestë është 140 mijë, ndërsa organizatorët e protestës pretenduan se mbi një milion njerëz ishin nëpër sheshe.

Ndërkohë në një pikë të afërt me qendrën e qytetit u organizua një kundër-protestë nga grupet anarkiste dhe majtiste.

Shumica e qytetarëve grekë janë kundër negociatave

Bisedimet rreth çështjes së emrit u përshpejtuan pas krijimit të qeverisë së re në Maqedoni vitin e kaluar. Në bisedimet qeveria greke thekson se mund të arrihet marrëveshje në një emër të vetëm që do të përdoret edhe brenda Maqedonisë edhe ndërkombëtarisht, ndërsa has vështirësi për të bindur partitë opozitare dhe një pjesë të rëndësishme të popullit.

Ndërsa një pjesë e popullit në Greqi duke pohuar se problemi nuk është vetëm për emrin, por edhe në lidhje me historinë dhe kulturën, Qeverinë e Maqedonisë e akuzon për vjedhje të “identitetit maqedonas”.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në takimin e tij me homologun grek Aleksis Tsipras në Davos, si shenjë e vendosmërisë në bisedimet kishte njoftuar se do të ndryshojnë emrin e aerodromit Aleksandri i Madh në Shkup si dhe autostradën me të njëjtin emër.

Ndërsa qeveria greke në krye me Tsipras, pohon se zgjidhja e problemit që vazhdon çerek shekull do të shërbejë në interes të vendit. Sipas anketave në vend shumica e qytetarëve grekë kundërshtojnë përdorimin e emrit “Maqedonia” nga fqinji i tyre verior. aa

Mali i Zi, sot mbahen zgjedhjet lokale në Ulqin dhe Beranë

Në zgjedhjet në Ulqin, gjithsej marrin pjesë dhjetë lista, nga të cilat dy janë koalicione dhe që garojnë sipas shortit të hedhur

PODGORICË – Në komunat Ulqin dhe Beranë në Malin e Zi sot mbahen zgjedhjet për pushtetin lokal. Vendvotimet janë hapur në orën shtatë, ndërsa mbyllen në orën 20:00.

Në zgjedhjet në Ulqin, gjithsej marrin pjesë dhjetë lista, nga të cilat dy janë koalicione dhe që garojnë sipas shortit të hedhur.

Socialdemokratët– Ivan Brajoviç–Qëndrueshëm për Ulqinin“ janë të parët, e dyta është UDSH – Me Zemër Përpara, e treta është Partia Boshnjake.

Sipas shortit të hedhur në fletëvotim numri katër i takon partisë Demokratët– Fitore jo Ndarje, ndërsa vijojnë Forca e Re Demokratike – Ta Mbrojmë të Ardhmen, si dhe Koalicioni “Për Ulqinin e Shëndoshë”, Partia Socialdemokrate – Ranko Krivokapiç – Të Gjallërojë Ulqini, Koalicioni “Zgjohu Ulqin”.

Vendin e parafundit në listën e votimit e ka partia URA – Ulqini i Gjeneratave të Reja dhe në fund është “Ulqini Fiton–Millo Gjukanoviç.

Në zgjedhjet në Berane marrin pjesë tre koalicione, tre parti politike dhe tre grupe qytetarësh.

Në bazë të të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi, të drejtë vote në Ulqin kanë 19.869 qytetarë, ndërsa në Berane 23.681 qytetarë.

Greqia e gatshme për protestë “madhështore”

Pamje të protestave të mbajtura në Selanik ditë më parë, foto nga arkivi

Organizatorët në Greqi kanë premtuar se do të mbajnë një protestë në Athinë gjatë ditës së sotme, për t’i bërë thirrje qeverisë që të mos bëjë kompromis në kontestin e emrit që ka ky vend me Maqedoninë.

Zëdhënësi i marshit, Michalis Patsikas, u ka thënë gazetarëve se protesta do të jetë “madhështore dhe diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë”.

“Do të dërgojë mesazh të qartë brenda dhe jashtë Greqisë”, ka thënë Patsikas, duke shtuar se pritet që rreth 1 milion persona të mblidhen afër sheshit Syntagma Square në kryeqytet.

Greqia përballet një kohë të gjatë me konfliktin për emrin me vendin fqinj për emrin “Maqedonia”.

Kjo ndodhi pas Maqedonia fitoi pavarësinë më 1991.

Liderët e të dy vendeve kanë thënë se kanë arritur përparim në zgjidhjen e problemit, duke përmendur shtimin e ndonjë prej parashtesave “e madhe” “e re” apo “veriore” në emrin e Maqedonisë.

Negociatori i Kombeve të Bashkuara, Matthew Nimetz ka shprehur optimizëm për vendet fqinje të Ballkanit duke përmendur këtë vit si kohën e zgjidhjes së kontestit.

Protesta në Greqi do të jetë e dyta në pak javë për këtë çështje.

Ato janë duke u organizuar dhe financuar nga grupe greke të diasporës, të përkrahur nga zyrtarë të penisionuar, grupe të kishave dhe disa tjera.

Më 21 janar në Selanik, ishin mbledhur mijëra protestues, pikërisht për çështjen e emrit.

Policia ka deklaruar se në protestë kanë qenë 90,000 persona, ndërsa organizatorët kanë pretenduar të kenë qenë 400,000 protestues.

Vuçiç: Nuk e fus kokën në rërë si të tjerët – Serbia e gatshme për kompromis me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se nuk do ta “fusë kokën në rërë siç kanë bërë tjerët” kur është fjala për Kosovën, raportojnë mediat serbe.

Ai ka shtuar se është i gatshëm për kompromis, por ka porositur se nëse dikush mendon që Serbia do t’i jep të gjitha dhe të mbetet pa asgjë, mashtrohet keq, transmeton Telegrafi.

Këto komente presidenti serb i bëri kur gazetarët e pyetën se çfarë po ndodh me dialogun e brendshëm për Kosovën, dhe për çfarë kompromisi është Serbia e gatshme të bëjë për një zgjidhje afatgjate.

“Në fund do të jenë qytetarët e Serbisë do të japin verdiktin për këtë çështje. A dëshiroj unë si president të sillem si të tjerët të fus kokën në rërë dhe të them, nuk ka problem do të presim edhe 200 vite derisa fëmijët dhe nipat tuaj të kalojnë nëpër problemet e njëjta që kemi kaluar edhe ne, baballarët dhe gjyshërit tanë, apo jeni të gatshëm të bëni siç do të jetë kompromisi për serbët dhe shqiptarët?”, ka shtuar Vuçiç.

Kontesti me Maqedoninë, ministri grek kërcënohet me vdekje

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias.

Zyrtarët në Greqi thanë se po hetojnë një kërcënim me vdekje ndaj ministrit të Jashtëm të këtij vendi, i cili besohet se ka lidhje me përpjekjet për zgjidhjen e kontestit të emrit me Maqedoninë.

Ministri i Jashtëm, Nikos Kotzias, ka marrë një letër që “përmban kërcënime për të dhe familjen e tij”, tha ministri i Mbrojtjes Civile, Nikos Toskas.

Ai tha se në letër “përmenden edhe tre plumba për Kotzias”.

Toskas shtoi se në javët e fundit, Kotzias ka marrë edhe letra dhe thirrje të tjera kërcënuese, ashtu si edhe ministrat e tjerë qeveritarë.

Toskas nuk dha më shumë hollësi.

Athina dhe Shkupi janë duke bërë bisedime për zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë, i cili ka tensionuar marrëdhëniet midis tyre prejse Maqedonia ka shpallur pavarësinë në vitin 1991.

Greqia refuzon ta njohë Maqedoninë me këtë emër, duke thënë se një gjë e tillë sugjeron se Shkupi ka pretendime territoriale ndaj një rajoni verior të Greqisë, i cili po ashtu quhet Maqedoni.

Për më shumë, lexoni këtu.

Jeremiç: Kosova mund të bëhet së shpejti anëtare e OKB-së

BEOGRAD – Kosova ka gjasa të mëdha të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe këtë fakt tashmë po e pranojnë edhe në Serbi. Kështu është shprehur kryetari i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremic i cili akuzoi presidentin serb se po bën marrëveshje jo të duhura me Kosovën.

“Arritja e një kompromisi me Kosovën është një situatë shumë e komplikuar dhe kjo nuk është e mjaftueshme vetëm me bisedime me shqiptarët. Vetëm negociatat me modelin e Vuçicit, kur shqiptarët marrin gjithçka që kërkojnë. Ky proces është në fund, dhe Vuçici po e përgatit publikun se Kosova do të marrë karrigen në OKB”, ka thënë politikani serb, njofton lajmi.net.

Ish-ministri i Jashtëm serb ka folur edhe për Strategjinë e Zgjerimit të BE-së që do të publikohet të martën.

“Edhe çështja e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor është vënë në pikëpyetje me një letër të Spanjës, e cila relativizoi plotësisht pozicionin e Kosovës për anëtarësim në BE”, thekson Jeremic.

Incidenti në Nish: ‘Kosova është Serbi’, ‘Krimeja është Rusi

Ndërsa mbante ligjërata në Universitetin e Nishit, të cilën e ka organizuar Klubi serbo-amerikan i miqësisë dhe bashkëpunimit, kryetari i Qendrës për të drejtat e njeriut Krstiq ka hedhur pamflete me fotografinë e Putinit.

Ligjërata e sotme e ambasadorit të SHBA në Serbi Kyle Scott në Universitetin e Nishit është shënuar me një skandal tipik shovinist, shkruajnë mediat kosovare.

amb amerikan serbi 2
Kryetari i Qendrës për të Drejta të Njeriut “Clamp” Dragan Krstiq nga ballkoni ka hedhur pamflete dhe ka bërtitur “nuk na nevojitet demokracia amerikane!”, “na keni goditur me bomba!”, “Kosova është Serbi, Krimeja është Rusi!”, transmeton Insajderi.

Në pamfletet që hodhi Krstiq ishte fotografia e presidentit rus Vladimir Putin dhe shkrimi “Duam bazat ruse”, “Jo – diktaturës, censurës, njëmendësisë, manipulimit dhe beogradizimit”.

Sigurimi e ka larguar Krstiqin nga salla, ndërsa policët e kanë ndaluar atë pasi ka qëndruar para ndërtesës së Universitetit.

serbi trakte

Ambasadori Scott në ligjëratën e vet ka vlerësuar se janë të pavërteta mitet mbi Amerikën të cilat i paraqesin tabloidet në Serbi, ato janë shpeshtuar aq shumë sa që populli serb po iu beson atyre.

“Nëse do të lexonit çdo ditë këto tabloide, ju do të besonit se Amerika i dëshiron vetëm të keqen Serbisë, se Amerika është armike e Serbisë, se dëshiron të krijojë kaos në Serbi dhe luftë në Ballkan. Të gjitha këto janë budallallëqe”, ka deklaruar Scott pas vizitës së Fakultetit të Elektronikës në Nish. Ligjëratën e ka organizuar Klubi serbo-amerikan për miqësi dhe bashkëpunim.

trakte serbi

 

Presidenti Grek Prokopis Pavlopulos e shikon me dyshim fqinjin e veriut, dmth Shqipërinë

Presidenti Grek Prokopis Pavlopulos në fjalim patriotik gjatë një darke  në qytetin bregdetar peloponezian të Kallamatës organizuar nga kreu i bashkisë së këtij qytetie vuri edhe njëherë veten e tij në rreshtin e grekëve që e shikojnë me dyshim fqinjin e veriut Shqipërinë.

“Këto ditë e orë  janë shumë të rendësishme për Greqinë dhe popullin grek  që ka derdhur gjak për të siguruar shtetin dhe territorin tonë që kemi sot .. ” Duke patur si nëntekst problemet territoriale që ka Greqia me Shqipërinë, siç është problemi çam dhe Çamëria .

Megjithëse presidenti grek Prokopis Pavlopulos nuk e përmendi me emër Çamërinë, ai foli shumë për eposin grek të Epirit  dhe veçanërishtë për “Jo “-në e madhe që Greqia dhe grekët i dhanë Musolinit në fund tetorit të vitit 1940 …

Megjithatë në fjalën e tij , zoti Pavlopulos foli edhe për perspektivën evropiane të fqinjëve grekë të Veriut, por duke mos harruar edhe një sërë kushtesh që paraprakisht duhen të plotësohen ..

Me këtë zoti president i Greqisë i mëshon akoma më shumë asaj që ka thënë më parë, që Shqipërinë do ta mbështesim për në BE , vetëm kur të plotësojë deri ne një të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri./Partizan Cene/ Greqi

Policia greke bastis shtëpinë e të dyshuarit grek të vrasjes të Devi Kasmit

Menjëherë mbas bërjes publike të emrit të të akuzuarit si ekzekutor i 41 vjeçarit Devi Kasmi në Tiranë, policia greke  bastisi pronat dhe shtëpinë e tij në një fshat afër Artës .

I njohuri tashmë si ekzekutori Eftimios Eftimiu, personi në fjalë  ka qenë për gati 10 vjet anëtar i forcave speciale në skalionin e Veriut të Greqisë . 41 vjeçari  dyshohet se ka marrë një shumë të majme parash, pra është vrasës me pagesë . Policia greke  ka gjetur mjaft material kompromentus, por ajo që bën më shumë përshtypje , simbas njoftimit zyrtar të policisë , ishte gjetja në shtëpi të tij  një pistoletë me silenciator  dhe fisheke për përdorim të së njëjtës armë/ Partizan Cene/Greqi

Ministri grek Niko Toskas: Përveç Kotzias të kërcënuar edhe dy ministra të tjerë – Ka qarqe në Greqi që nuk e duan heqjen e ligjit të luftës

Në intervistën që dha sot pas dite Ministri grek i Mbrojtjes të Qytetarit ( ministri i brendshëm ) Niko Toskas në kanalin shtetëror ERT-1, tha se nuk është i kërcënuar vetëm Ministri i Jashtëm, Nikos Kotzias, lidhur me përpjekjet që qeveria dhe veçanërishtë kryeministri po bëjnë për të mbyllur problemet shumë dekadëshe me fqinjët, Shqipërinë dhe Maqedoninë  por janë kërcënuar edhe dy ministra të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen publik për momentin , për arsye hetimi.

Qysh mbrëmë mbas mesnate kur janë bërë publike letrat kërcënuese për ministrat policia shtetërore dhe sigurimi i shtetit  po punon për të gjetur autorët .

Në pyetjen e gazetarit se kush është arsyeja kryesore e këtyre kërcënimeve, zoti Toskas , u përgjigj , se kjo është e kuptueshme , pasi ka qarqe në Greqi që nuk duan as heqjen e ligjit të luftës me Shqipërinë dhe as njohjen e Maqedonisë me nje emër të ngjashëm./Partizan Cene/Greqi

Scott: Në Serbi gjithnjë e më tepër mite të pavërteta për SHBA-të

Ambasadori amerikan në Serbi Kyle Scott

 

 

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Kyle Scott, ka vlerësuar sot se mitet e pavërteta për Amerikën, të cilat, siç ka theksuar ai, i plasojnë tabloidet e ndryshme në Serbi, janë bërë aq të shumta në numër, sa që populli serb “ka filluar të besojë në to”.

“Nëse i lexojmë tabloidet çdo ditë, do të mendoni se Amerika dëshiron vetëm gjëra të këqija për Serbinë, se Amerika është armik i Serbisë, se dëshiron kaos në Serbi dhe luftë në Ballkan. Të gjitha këto janë vetëm budallallëqe”, ka deklaruar ambasadori, Kyle Scott, sot në qytetin e Nishit.

Mëtutje, ai tha se politika e Shteteve të Bashkuara është e bazuar në atë që Serbia të jetë stabël dhe shtet i fortë, që jep kontribut në stabilitein e gjithë rajonit, raporton agjencia Beta nga Beogradi.

Ambasadori Scott më herët gjatë ditës në Universitetin e Nishit ka mbajtur ligjëratë në temën e komentimit të gabuar të politikës së Shteteve të Bashkuara në Serbi.

Seancë e përbashkët e qeverive të Sllovenisë dhe Serbisë

Në seancën e katërt të përbashkët u diskutua për fushën e sigurisë, çështjeve sociale, drejtësinë dhe emigracionin

BEOGRAD – Seanca e përbashkët e qeverive të Serbisë dhe Sllovenisë, në të cilën ishte paraparë të diskutohen marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve në biznes, siguri, çështje sociale, drejtësi dhe migrim, u mbajt sot në Bërdo të Kranjit në Slloveni.

Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç mëngjesin e sotëm mbërriti me delegacionin e Qeverisë së Serbisë në Slloveni, ku në aeroport u prit nga kryeministri i Sllovenisë, Miro Cerar.

Pas takimit, janë planifikuar të nënshkruhen disa marrëveshje bashkëpunimi.

Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë së Serbisë, kryeministrja Brnabiç para seancës, ka shënuar në librin e artë të mysafirëve në Kranj, ku ka theksuar se mirëkuptimi reciprok dhe bashkëpunimi, sinqeriteti dhe gatishmëria për bisedime hap rrugën e forcimit të miqësisë mes dy popujve.

“Sot ne jemi ata që shkruajmë faqet e historisë për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë Brnabiç dhe e falënderoi Slloveninë për mbështetjen dhe miqësinë e saj.

Gjatë pasdites, Cerar dhe Brnabiç do të marrin pjesë në forumin e biznesit Slloveni – Serbi, në Dhomën e Tregtisë së Sllovenisë në Lubjanë, ndërsa ministrat do të marrin pjesë në panelet në kuadër të Forumit.

Delegacioni i Serbisë përbëhet ministri i Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Politikës Sociale, Zoran Gjorgjeviç, ministri i Kulturës dhe Informacionit Vlladan Vukosavljeviç, ministrja e Drejtësisë Nela Kuburoviç, ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Mladen Sharçeviç, ministri i Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Branko Ruzhiç, ministrja e Integrimit Evropian Jadranka Joksimoviç, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Branislav Nedimoviç dhe ministri pa portofol përgjegjës për demografinë dhe politikën e popullsisë, Slavica Gjukiç Dejanoviç.

Seanca e parë e përbashkët e dy qeverive u mbajt në vitin 2013 në Beograd, ndërsa në vitin 2015 po ashtu në Bërdo të Kranjit, ku u dakorduan që Qeveria e Serbisë dhe Sllovenisë së bashku do të trajtojnë procedurat për hyrjen më të lehtë të kompanive serbe në tregun slloven, si mundësinë e shtimit të investime sllovene në Serbi. aa

Vuçiçi: S’ka BE pa nënshkruar marrëveshje obliguese me Kosovën

Bashkimi Evropian pret nga Serbia nënshkrimin e një dokumenti juridikisht obligues me Kosovën, pas të cilit Serbia do të mund të bëhej anëtare e BE-së.

Kështu ka thënë sot në Beograd presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në konferencën për media me kryetarin e Parlamentit Evropian, Antonio Tajani.

Vuçiç ka theksuar se këtë ia ka thënë edhe presidenti Tajani, shkruan lajmi.net. Tajani ka saktësuar se kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet para hyrjes formale të Serbisë në BE.

“Serbia është Evropë dhe është korrekte që të gjithë njerëzit në Ballkan sot të jetojnë në paqe”, ka thënë Tajani.

Vuçiç e ka falënderuar Tajanin për respektimin e Serbisë dhe popullit serb dhe për atë që e ka njohur mirë Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor.

“Sikur Bashkimi Evropian të kishte më shumë njerëz të tillë, të cilët në atë mënyrë e respektojnë popullin serb, jam i bindur se edhe ne do të ishim më të vyeshëm dhe do të kishim rezultate më të mira”, tha presidenti serb.

Mediat greke – Athina dhe Shkupi bien dakord, vendoset emri i ri i Maqedonisë

Në mediat greke janë publikuar sot detaje të negociatave mes palëve greke dhe maqedonase, të cilat kanë arritur të bien dakord për çështjen e emrit.

Ndonëse as nga Athina dhe Shkupi zyrtar nuk ka asnjë konfirmim, mediat shkruajnë se me marrëveshje dypalëshe emri i ri i Republikës së Maqedonisë do të jetë “Republika gorna Makedonija” që përkthehet “Republika e Maqedonisë së Epërme”.

Ky është emri i arritur, ndonëse kishte pretendime të tjera nga palët, pasi Shkupi preferonte emërtimin “Nova Makedonija” (Maqedonia e Re).

Në vazhdim do të jenë burimet zyrtare ato të cilat do konfirmojnë ose hedhin poshtë zërat. Çështja e emrit, është ajo që mban të bllokuar Maqedoninë nga procesi i integrimit të vendit në strukturave euro-atlantike.

Kryeministri kroat i përgjigjet Serbisë dhe Sllovenisë për disa çështje

Kryeministri i Kroacisë, Plenkoviç porositi se ekspozimi serb për Jasenovcin është një provokim i llojit të vet të politikanëve të cilët kanë inicuar agresionin në ish-Jugosllavi

ZAGREB – Kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviç pas pjesëmarrjes në konferencën “Kroacia në portën e Unionit të Energjisë”, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ndër të tjera, tha se ekspozimi i Serbisë në lidhje me Jasenovcin është provokim i llojit të vet të politikanëve që kanë iniciuar agresionin në ish-Jugosllavi.

Ai poashtu tha se peshkatarët kroatë nga ‘Savudrijska vala’ nuk duhet t’u paguajnë gjoba sllovenëve.

Kryeministri kroat fillimisht rikujtoi notën diplomatike të cilën e ka dërguar qeveria kroate si dhe ekspozitën e organizuar nga Qeveria e Serbisë në selinë e OKB-së në New York.

Plenkoviç, duke folur për qëndrimin e qeverisë dhe shoqërisë kroate si një tërësi ndaj holokaustit dhe Jasenovcit, theksoi se qëndrimi i respektit është i qartë dhe i pamëdyshëm.

“Natyrisht ka disa ministra të cilët nuk ndjekin mirë zhvillimet, nuk shohin, nuk dëgjojnë se çfarë bëhet, nuk dëgjojnë mesazhet, vazhdojnë që me një ekspozitë në New York të instrumentalizojnë temën, të kthehen marrëdhëniet në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Kroacia nuk do të lejojë të tërhiqet në këto tema. Ne i dimë cilat janë vlerat tona, ne e dimë se si të trajtojmë të kaluarën, të artikulojmë qartë nderimet për viktimat, të dënojmë ata që kanë kryer krime”, tha Plenkoviç.

Ai tha se ata që bëjnë gjëra të tilla, duhet të pyesin se si ishte politika e paraardhësve nga partia e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, për shembull të viteve të 90-ta, kur regjimi serbomadh i Millosheviçit udhëhiqte agresion të ashpër kundër Kroacisë, Bosnjë e Hercegovinës, shkatërroi Vukovarin dhe çoi në vrasjen e 15.000 njerëzve në Kroaci.

Ai sugjeroi se këta persona dhe politikanë “sigurisht që nuk kanë kredibilitet për të bërë provokime të tilla”.

Kryeministri kroat Plenkoviç komentoi edhe mbi marrëdhëniet e tendosura me Slloveninë fqinje mbi demarkacionin në “Savudrijska vala” apo më saktë në Gjirin e Piranit. Ai tha se do të mbrojë peshkatarët kroatë të cilët kanë marrë gjithsej 15 gjoba nga 500 euro nga policia sllovene nën pretendimet për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror.

“Më vjen keq që Sllovenia vazhdon me politikat e saj të papranueshme për zbatimin e njëanshëm të vendimit të arbitrazhit nga procesi i të cilit Kroacia doli dhe vendimin e së cilës Kroacia nuk e njeh”, tha kryeministri Plenkoviç.

Sipas të drejtës ndërkombëtare, siç tha “ju mund të pyesni edhe avokatët sllovenë ndërkombëtarë se është e pamundur të bëhet një vendim i tillë në mënyrë të njëanshme”.

“Kjo zgjedhje e tyre që të dërgojnë gjoba për kundërvajtje peshkatarëve tanë është thellësisht e gabuar. Këto janë akte të njëanshme dhe ne ndaj tyre si një shtet serioz gjatë gjithë kësaj kohe ishim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi. Policia kroate, Ministria e Brendshme do t’i kundërpërgjigjet me masë të njëjtë edhe në shkeljet e territorit tonë nga ana e peshkatarëve sllovenë për të treguar qartazi fuqinë e mesazhit”, tha Plenkoviç.

Ai shtoi se peshkatarët kroatë gjobat e dorëzuara nga policia sllovene nuk do t’i paguajnë për shkak se qeveria do të gjejë mekanizma për t’i ndihmuar ata përmes sistemit ligjor dhe të hedhë poshtë urdhrat për kundërvajtje nga Sllovenia. aa

Nikos Kotzias “rrëzon” Bushatin: Çështja çame nuk ka qenë objekt diskutimi

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe homologu i tij grek Nikos Kotzias, vetëm pak ditë më parë zhvilluan një takim tre ditor në qytetin e Korçës.

Pas këtij takimi të dy ministrat u shprehën se u diskutuan për çështjet të cilat kanë sjellë “ngërçe” ndër vite për marrëdhëniet shqiptaro-greke.

Këto diskutime i konfirmoi dhe kryeministri  Edi Rama pas takimit që zhvilloi me kryeministrin grek  Aleksis Tsipras në Davos.

Por gjatë këtyre takimeve çështja çame nuk është diskutuar. Këtë thekson ministri i jashtë grek Kotzias.

Duke u  përgjigjur për deputetin e opozitës Kumutsakos, ministri grek tha se kjo çështje nuk përbën objekt dikutimi, Gjithashtu ai tha se: “Kemi një përmiresim spektakolar të klimes në marrëdheniet greko-shqiptare.”

Mbi 35 mijë amendamente bllokojnë zyrtarizimin e shqipes

Nikolla Gruevski, ish-lider i VMRO-së në seancë plenare. Fotografi nga arkivi

Partia e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE është kthyer në Kuvend pas një pauze prej dy muajve, duke parashtruar mbi 35 mijë amendamente për Ligjin mbi përdorimin egjuhëve. Ky ligj ishte miratuar paraprakisht nga Kuvendi i Maqedonisë, por më pas ai nuk ishte nënshkruar nga presidenti Gjorge Ivanov.

Me këtë ligj, ishte parashikuar një shtrirje më e gjerë e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në institucionet e pushtetit vendor dhe atij qendror.

Por, me këtë ligj nuk po pajtohet VMRO-DPMNE, e cila së fundit dërgoi në Kuvend 35 mijë amendamente, veprim ky që po cilësohet si bllokues i punës së këtij institucioni.

Nga kjo parti politike kanë theksuar se me dërgimin e mbi 35 mijë amendamenteve, nuk synohet bllokimi i Kuvendit dhe as të punohet kundër interesave të shqiptarëve. Por, siç thuhet, po punohet në harmonizimin e ligjit në fjalë me Kushtetutën e Maqedonisë.

“Ligji është sjellë në procedurë shumë jotransparente, pa konsultime me ekspertë. Nuk janë bërë konsultime me grupet më të vogla etnike dhe ajo që është më e rëndësishme, pa të drejtë, Ligjit të gjuhëve i është vendosur shenja evropiane, që të shmanget debati rreth tij”, ka theksuar deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilia Dimovski.

Ai njëherësh ka nënvizuar se nëse për shumicën parlamentare janë të rëndësishme reformat dhe integrimi, atëherë Talat Xhaferi si kryetar i Kuvendit duhet të ndryshojë dinamikën dhe rendin e ditës së seancave parlamentare, dhe të heq Ligjin e gjuhëve dhe të vendos ligjet që nevojiten për realizimin e reformave sipas planit të Qeverisë të njohur si plani 3-6-9.

“Me sa di , ligji për përdorimin e gjuhëve nuk është më prioritet, dhe këtë e tha edhe eurokomesari Han”, ka thënë Dimovski

Gjatë ditës kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev i ka bërë thirrje VMRO-DPMNE-së si parti opozitare që të jetë syçelë, të heq dorë nga amendamentet dhe të mos e bllokojë punën e Kuvendit, tani kur Maqedonia ka gjasa reale për fillimin e negociatave për anëtarësim në NATO.

“Unë jam Zoran Zaev, ai që udhëheq luftën për liri dhe demokraci. Demokracia për ne paraqet imperativ. Secili nga opozita ka të drejtë të dorëzojë amendamente dhe kjo duhet respektuar, por njëkohësisht duhet pasur parasysh se përmes kësaj të drejte bllokohet puna e Kuvendit“, ka theksuar kryeministri i Maqedonisë.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri për çështje të integrimeve, Bujar Osmani vlerëson se VMRO-DPMNE si parti opozitare, duke propozuar mbi 35 mijë amendamente për Ligjin e gjuhëve, humbet shansin historik për të dëshmuar se kjo parti ka ndryshuar qasjen ndaj shqiptarëve.

Osmani është shprehur i bindur se Ligji i gjuhëve do të miratohet shumë shpejt, por siç është shprehur ai, në memorien e qytetarëve do të mbetet kundërshtimi i një partie politike, përkatësisht i VMRO-DPMNE-së.

“VMRO-DPMNE kishte një mundësi të shkëlqyer që të ketë një qasje sensitive ndaj çështjes shumë të ndjeshme, sepse në asnjë mënyrë avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe në institucione nuk e rrezikon të drejtat e qytetarëve të tjerë, dhe aq më pak e kërcënon karakterin unitar të shtetit”, ka thënë Osmani.

“Sa më shumë që do t’i afrohemi mundësisë për t`u integruar në NATO dhe BE, aq më shumë do të ketë përpjekje për ta ngadalësuar këtë proces, qoftë nga forcat e brendshme qoftë nga forca jokonstruktive rajonale, qoftë dhe nga forcat më të larta gjeopolitike. Por, ne jemi të vendosur që t`i tejkalojmë këto sfida dhe nuk do të lejojmë që asnjë pengesë në këtë përpjekjen tonë historike, në përpjekjen e kësaj gjenerate për ta bërë vendin pjesë të BE-së dhe NATO-s”, ka thënë tutje Osmani.

Kurse, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela i cili njëherësh është deputet, i ka bërë thirrje VMRO-DPMNE-së që të heq dorë nga amendamentet, duke nënvizuar se me këtë ligj nuk plotësohen tërësisht kërkesat e shqiptarëve, por krijohet mundësi që të realizojnë një të drejtë të mohuar.

Sela ka shprehur vërejtjet e tij edhe rreth emërimit të Ligjit të gjuhëve.

“Për ne është e papranueshme termi ‘përdorimi i gjuhës që e flasin 20 për qind e qytetarëve’. Askush nuk ka të drejtë që të shpik definicione për gjuhën tonë, ashtu siç reagojnë maqedonasit për çështjen emrit. Ajo është gjuha shqipe dhe ashtu duhet që të qëndrojë”, ka theksuar Zijadin Sela.

Para Kuvendit të Maqedonisë kanë protestuar përfaqësues të shoqatave të ndryshme maqedonase, siç kanë thënë, kundër miratimit të Ligjit të gjuhëve si dhe zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë, që parasheh ndryshimin e Kushtetutës.

Ndryshe, Ligji për përdorimin e gjuhëve mori vizë me 69 vota nga Parlamenti më 11 janar, në mungesë të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, por i njëjti është kthyer sërish në Parlament, pasi nuk u dekretua nga presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

Maqedoni: ligji i gjuhëve, përsëri në rend të ditës në Parlament

Parlamenti i Maqedonisë vendosi në rend dite të seancës së ditës së hënë, ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ky ligj ka hyrë në parlament në lexim të tretë, me që presidenti Gjorgje Ivanov refuzoi ta dekretojë atë, pasi shumica parlamentare e miratoi atë më 11 janar.

Deputetët e partisë opozitare VMRO-DPMNE po përpiqen ta bllokojnë miratimin e ligjit. Ata janë kthyer në parlament pas një bojkoti prej disa javësh, ndërkohë që kanë propozuar mbi 30 mijë amendamente ndaj ligjit për gjuhët. Ata, po ashtu e quajnë ligjin si anti-kushtetues dhe që “dëmton interesat e Republikës së Maqedonisë”.

Ligjvënësit opozitarë, edhe pa i ardhur radha ligjit të gjuhëve, përdorin taktika të ndryshme, duke kërkuar secili prej tyre ndryshimin e vendit të pikave të rendit të ditës së seancës parlamentare.

Nga ana tjetër, dhjetra protestues u mblodhën jashtë parlamentit, për ta kundërshtuar atë që në opinionin pubik, njihet si ligji për gjuhën shqipe.
Ligji për gjuhët parashikon zgjerimin deri në zyrtarizim të gjuhës shqipe në Maqedoni.

Nëse parlamenti nuk gjen ndonjë mënyrë për anashkalimin e mijëra amendamenteve të opozitës, sipas ekspertëve, procesi do të zgjaste jo me muaj, por për vite të tëra.

Shkup: Edhe sot u protestua kundër gjuhës shqipe

Një grup qytetarësh, përfaqësues të shoqatave të ndryshme kanë protestuar edhe sot para ndërtesës së Kuvendit, kundër ligjit të gjuhëve si dhe ndryshimit të emrit kushtetues.

Protestuesit gjithashtu vazhduan të mbledhin firma kundër Qeverisë “Zaev”. Protestuesit kërkuan të mbrohet atdheu dhe ardhmëria e fëmijëve dhe të mos imponohet siç thanë dygjuhësia në Maqedoni.

“Dëshiroj t’i porosis gjithë maqedonasit në Maqedoni mos të humbin guximin, mos të bëhen tradhtar, kur të bëhet fjalë për Maqedoninë të dalin këtu dhe ta mbrojnë atdheun, ta mbrojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre”.

“Përse, ju që jeni brenda, të kundërligjshëm dëshironi të flasim në gjuhë tjetër, në gjuhë të huaj. Gjuhë që nuk e njeh as gjyshja e as stërgjyshja ime, as nëna ime dhe askush tjetër nuk flet në gjuhë të huaj. Gjuha ime është maqedonishtja”.

Ja pse Kammenos paralajmëron dorëheqjen

Çështja e emrit të Maqedonisë pritet të sjellë në orët e ardhshme ndryshime në skenën politike të Greqisë.

Pas takimit të djeshëm të kryeministrit me të gjithë udhëheqësit e partive parlamentare, kreu i partisë “Grekët e Pavarur” të koalicionit qeveritar, Panos Kammenos, njëkohësisht ministër i Mbrojtjes, duket i ka thënë kryeministrit Tsipras se nëse do të vijë në Parlament një emër i përbërë që përmban termin “Maqedoni”, ai nuk do ta votojë propozimin.

Ai do të japë dorëheqjen bashkë me anëtarët e tjerë të partisë së tij nga postet qeveritare, duke krijuar kështu të çarën e madhe në koalicionin qeveritar të vendit. Por, në të njëjtën kohë, ai duket se ka thënë se nëse opozita do të përfitojë nga kjo dhe do të kërkojë votëbesimin e qeverisë në Parlament, ai do ta mbështesë qeverinë.

Ndërkohë, duket se propozimin për emrin e ri të fqinjit verior të Greqisë mund ta mbështesin në Parlament edhe deputetë nga partitë opozitare, midis tyre edhe ata të koalicionit demokratik, shumica e të cilit përbëhet nga socialistët e PASOK-ut, te të cilët thuhet se Tsipras mund të gjejë partnerët e ardhshëm të qeverisë.

Gjithashtu të dielën e parë të shkurtit pritet përsëri, në Athinë kësaj here, një miting madhështor si ai i Selanikut, në të cilin grekët do të kundërshtojnë që termi “Maqedoni” të jetë pjesë përbërëse e emrit të ri.

Athina dhe Shkupi nxitojnë të zgjidhin ndasitë e tyre 27-vjeçare për emrin, nën presionin e qytetarëve të tyre, por njëkohësisht edhe të BE-së dhe SHBA-ve, që duan që në samitin e BE-së në maj dhe në atë të NATO-s në qershor të jepet “drita jeshile” për procesin integrues të Shkupit.

Tensionet Turqi-Greqi: Ministrit grek të Mbrojtjes nuk i lejohet të afrohet në Kardak

MPB e Turqisë bëri të ditur se nuk i ka lejuar ministrit grek të Mbrojtjes, Panos Kammenos që të vendos kurorë lulesh në rajonin e Kardak të Detit Egje me një anije luftarake

ANKARA – Ministria e Punëve të Brendshme të Turqisë bëri të ditur se nuk i ka lejuar ministrit grek të Mbrojtjes, Panos Kammenos që të vendos kurorë lulesh në rajonin e Kardak të Detit Egje me një anije luftarake.

Në një njoftim me shkrim nga MPB e Turqisë thuhet se Ekipet e sigurisë bregdetare të Turqisë nuk kanë lejuar që ministri grek të afrohet në Kardak.

Në deklaratë thuhet se delegacioni grek pas paralajmërimit të bërë është larguar nga ujërat territoriale turke pa shkaktuar ndonjë tension.

Ministri serb i Mbrojtjes nuk do lejohet të hyjë në Kosovë

Deklaratat e dhëna sot nga ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin se serbët e veriut të Kosovës do t’i mbrojë ushtria e Serbisë mund t’i kushtojnë me ndalim të hyrjes në territorin e Kosovës.

Lidhur me këtë këshilltari për media i ministrit të Jashtëm, Jetlir Zyberaj ka theksuar për Gazeta Blic se nuk ka informacion që Vulin ka kërkuar leje për vizitë në Kosovë.

Megjithatë, ai ka theksuar se kur dikush nga politikanët serb jep deklarata të tillë, natyrisht se do t’i refuzohet leja për vizitë.

“Fillimisht nuk dua të paragjykoj sepse i njëjti formalisht ende nuk ka parashtruar kërkesë për vizitë vendit tonë. Në rrethana të ngjashme kur persona që japin deklarata që nxisin dhunë dhe konflikte sipas mendësisë së Milloshevicit, kërkojnë leje për të vizituar Kosovën, vizita do t’u refuzohet”, tha ai për Gazeta Blic.

Sipas tij, Kosova është shtet sovran dhe rregullat e shtetit janë të obliguara t’i respektojne të gjithë.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit serb të mbrojtjes, Aleksandar Vulin i cili tha se ushtria serbe po monitoron situatën në veri të Kosovës pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

“Deklaratat si kjo e Vulinit janë kërcënim për sigurinë në Kosovë dhe mund të shkaktojnë destabilizim. Gjendja në pjesën veriore është e qetë dhe e qëndrueshme. Institucionet përgjegjëse për siguri janë Policia e Kosovës, FSK-ja, KFOR-i dhe Eulex-I”, ka shkruar Hoxhaj.

Tsiprasi jep lajmin e mirë: Zgjidhëm problemet me Ramën, do votojmë pro Shqipërisë në BE

Kryeministri grek Alexis Tsipras ka mbajtur një fjalim para kombit, se pas takimit me homologun e tij shqiptar Edi Rama, ai ishte gati për firmosjen e një marrëveshje strategjike me Shqipërinë dhe ka thënë “Ok”-in për hapjen e negociatave me BE-në.

Në një deklaratë nga pallati  “Maximos”, Tsipras tha se se ka arritur që të zgjidhë problemet me dy fqinjët e tij verior siç janë Maqedonia dhe Shqipëria.

“Unë premtoj se në vitet e ardhshme do të ndjek me një përgjegjësi patriotike një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët.  Duke pasur parasysh se kjo është përgjegjësi e qeverisë greke dhe e imja, mund të them se kemi arritur një rol të rëndësishëm si lider në Ballkan”.

Tsipras deklaroi se për bisedimet me Shqipërinë fqinje, ai ka takuar Presidentin e Republikës dhe krerët e partive  politike, se ai ka hapur rrugën e një normalizimi të plotë dhe përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve.

“Jemi gati për një marrëveshje strategjike me Shqipërinë. Një marrëveshje që do të zgjidhë dallimet kritike dhe do të çojë në votën tonë për hapjen e e negociatave të pranimit të vendit tonë fqinj në BE”, deklaroi kryeministri grek, duke shtuar se ka një konsensus të të gjitha partive politike greke për të normalizuar marrëdhëniet me Tiranën.

“Ky është një shembull i rëndësishëm se si bëhet politika e jashtme në vendet fqinje, ku për çështje strategjike nuk ka ndarje dhe sulme mes mazhorancës dhe opozitës”, tha shefi i qeverisë së Athinës.

Dënohet me 15 vjet burg ish-shefi i shërbimit sekret bullgar

Ish-drejtori i shërbimeve sekrete bullgare, Kirço Kirov, u dënua me 15 vite burg për vjedhje të fondeve publike me vlerë prej 2,6 milionë euro, njoftoi sot drejtësia bullgare.
Ky është një prej rasteve të rralla që një prej ish-përgjegjësve bullgarë të nivelit të lartë dënohet.

Kroacia akuzon Serbinë për propagandë mbi ekspozitën e memorialit të Holokaustit

Kroacia ka akuzuar sot Serbinë për falsifikim të historisë për qëllime propagande, gjatë një ekspozite të saj për Holokaustin në ambientet e OKB në New York, ku përshkruhet një kamp përqendrimi i Luftës së Dytë Botërore i regjimit të atëhershëm fashist të Kroacisë.
Serbia dhe Kroacia janë dy republikat më të mëdha të dala nga ish-Jugosllavia dhe kanë bërë përpjekje për përmirësimin e marrëdhënieve pas konfliktit të viteve 1991-1995 por regatat mbeten të hidhura.
Ministrja e Jashtme kroate Marija Pejcinovic Buric tha se ekzibicioni ishte përgatitur pa pjesëmarrjen e qendrës kroate të Memorialit të Jasenovac.
“Ne shprehim keqardhje të thellë për viktimat e regjimit Ustasha në Kroaci dhe dënojmë krimet e kryera në kampin e Jasenovac. Prej respektit për viktimat ne e konsiderojmë të papranueshme shfrytëzimin e vuajtjeve të tyre për qëllimet e politikës së përditshme”, thuhej në deklaratën e ministrisë.
Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç tha se ekzibicioni është hapur për ditën ndërkombëtare të Holokaustit.
“Jasenovac është ndoshta shembulli kryesor i mizorisë së vrasjeve, që tmerruan dhe nazistët”, citohej Daçiç të kishte thënë nga agjencia serbe Tanjug.
Ai shtoi se ekspozita përfaqëson përpjekjet globale për parandalimin e ideologjive neo-Naziste e neo-fashiste.
Kampi i Jasenovac veproi nga viti 1941 deri në 1945 në shtetin e pavarur të Kroacisë, të regjimit Ustasha aleat me nazistët. Në të janë burgosur dhe vrarë romë, serbë dhe kroatë kundërshtarë të regjimit.
Historianët kroatë thonë se 80,000 deri në 100,000 njerëz kanë vdekur në Jasenovac, kurse serbët thonë se numri arrin në 600,000.

Ish-kryetari i Akademisë serbe, Nikolla Hajdin: Në Kosovë shumica janë shqiptarë dhe nuk mund t’i kthejmë në serbë

Ish-kryetari i Akademisë serbe, Nikolla Hajdin, deklaroi se Kosova është e humbur për Serbinë.

“Kosova është çështje e humbur. Do të duhej që ky popull të mësonte me kohë që Kosova është e humbur, sikurse ka deklaruar Dobrica Qosiq. Cila Kosovë serbe? Si e mendoni ende Kosovën në Serbi? A mund ta paramendoni një komunë në Serbinë Qendrore, apo në Vojvodinë me kryetar shqiptar? Nuk mundeni, natyrisht, as unë”, deklaroi akademiku Nikolla Hajdin.

Akademik Hajdin theksoi se nuk ka ndonjë politikanë që do intelektualët apo shkencëtarët, sepse“ata janë të dobishëm për vendin por pengesë për pushtetin”. Sipas tij, interesi i Serbisë është që të merret aq sa mund të merret nga Kosova.

“Kjo është që të ruajmë njerëzit tanë, të cilët janë atje dhe objektet fetare e trashëgimia kulturore të marrin mbrojtje ndërkombëtare”, konstatoi Hajdin, i cili ka qenë në krye të Akademisë serbe për tre mandate. Tutje ai shtoi se në Kosovë jetojnë afro 100.000 serbë, përfshirë edhe ata serbë të cilët jetojnë në Terazija (Beograd – sqarim yni) e që shkojnë në Prishtinë me aeroplan.

“Pra 100.000 serbë mund të kenë të drejta aq sa mund të kenë karshi 2 milionë shqiptarëve. Nuk mund të presim diçka më tepër”, vlerësoi Hajdin, transmeton RTK.

“Çka na duhet ai territor ku nuk ka serbë? Nuk ka vend në Evropë ku i përket pakicës. Në Hungari jetojnë shumica hungarezë, në Poloni jetojnë me shumicë polakë, ndërkaq në Kosovë shumica janë shqiptarë dhe nuk mund t’i kthejmë në serbë”, sqaroi Hajdin.

Video: Shtëpia përfshihet nga flakët, digjet nëna dhe katër fëmijët në Tetovë

Është konfirmuar se nga zjarri që përfshiu shtëpinë në Tetovë kanë mbetur të vdekur nëna dhe katër fëmijë të saj. Kjo thuhet edhe nga dëshmitarë okularë që kanë ndjekur momentin e shpëtimit, por edhe nga ekipet e zjarrëfikësve që janë në kërkim të trupave.

Rreth orës 04:20 minuta në rrugën Goce Dellçev, zjarri ka kapluar shtëpinë e Sulejman Zulbeharit, i lindur në vitin 1940. Lajmi është konfirmuar edhe nga Njësiti i Zjarrfikësve në Tetovë. Fëmijët janë të moshës 4 dhe 13 vjeçare. Nëna Fatimja 39 vjeç si dhe tre janë djemtë dhe vajza e saj raportohet se kanë mbetur të vdekur.

zjarr

Fillimisht është përfshirë kati i dytë i shtëpisë së vjetër, që sipas pronarit i cili gjatë zjarrit ka qenë duke fjetur në katin e parë të shtëpisë.

Zjarri është vënë nën kontroll, ndërsa me urdhër të Prokurorit vendi i aksidentit është duke u siguruar nga ana e policisë./INA Online

Davos, Tsipras: Turqia është një fqinj agresiv

Kryeministri grek Alexis Tsipras i tha sot partnerëve evropianë në forumin ekonomik botëror të Davos në Zvicër se është e vështirë të jetosh më një fqinj agresiv si Turqia, në komentet që reflektojnë marrëdhënie të tensionuara mes dy vendeve aleate në NATO.

Tsipras foli në diskutimet për stabilizimin e situatës në Mesdhe dhe krizën e emigracionit. Ai përmendi sjelljen e fqinjit lindor teksa kujtonte se në vitin 2015 kur erdhi në pushtet, Greqia ndodhej në një kohë të vështirë krize financiare dhe emigracioni.

Por megjithë diferencat territoriale dhe të minoriteteve mes dy vendeve, Turqia e Greqia kanë bashkëpunuar vitet e fundit në marrëveshjen evropiane të reduktimit të fluksit të emigrantëve, të cilën Tsipras e quajti “e vështirë por e nevojshme”, duke iu referuar kritikave nga grupet e të drejtave të njeriut.

SHGM: Gazetarët në Maqedoni punojnë në kushte pasigurie dhe me paga të ulëta

SHGM, tha Selmani, gjatë vitit 2017 ka regjistruar 18 sulme të reja mbi gazetarët, nga të cilat 13 janë sulme fizike dhe verbale, ndërsa të tjerat janë fyerje, pengesa në punë, dhe shkatërrim i pronës së tyre

SHKUP – “Gazetarët në Maqedoni punojnë në kushte pasigurie nga shkaku se edhe në vitin 2017 ata janë dhunuar, rrëmbyer, kërcënuar me vdekje, shpalleshin tradhtarë, ndërkohë që autoritetet nuk arritën të dënojnë asnjërin nga dhunuesit”, është konstatimi i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), e cila prezantoi raportin për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve në Maqedoni për vitin 2017.

Në konferencën për mediat, në të cilën kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, shpalosi detajet e raportit në fjalë, u tha se dhuna ndaj gazetarëve është bërë me porosi, për t’i heshtur ata nga publikimi i keqpërdorimeve nga më të ndryshmet në vend.

SHGM, tha Selmani, gjatë vitit 2017 ka regjistruar 18 sulme të reja mbi gazetarët, nga të cilat 13 janë sulme fizike dhe verbale, ndërsa të tjerat janë fyerje, pengesa në punë dhe shkatërrim i pronës së tyre, duke vënë theksin tek sulmi i përgjakshëm në Kuvendin e Maqedonisë, i cili ndodhi më 27 prill, ku përveç deputetëve pësuan edhe punonjësit e mediave.

“Këta dhunues, sulmuan fizikisht gazetarët dhe kameramanët të cilët i penguan të raportojnë për këto ngjarje të dhunshme, duke iu marrë apo dëmtuar kamerat dhe telefonët celularë. Nën kërcënimin e armëve, gazetarët janë mbajtur peng me orë të tëra, ndërsa policia nuk u ka dhënë asnjë ndihmë”, tha Selmani, i cili shprehu shqetësimin e SHGM-së për mosndëshkimin e dhunuesve.

“Prokuroria Publike ka përpiluar një lëndë për këtë rast, është konstatuar identiteti i dhunuesve, por fatkeqësisht ata akoma nuk janë nxjerrë para drejtësisë”, tha më tej Selmani, për të shtuar se ka përmirësime në punën e policisë e cila identifikon sulmuesit e gazetarëve. Sipas tij lëndët mbeten të bllokuara në prokurori, duke shtuar se nuk ka ndërmarrë masa as ndaj thirrjeve publike për linçim të gazetarëve, të cilat kanë ndodhur në vitin 2017.

Në raportin për vitin 2017, është konstatuar se paralelisht me pasigurinë fizike, gazetarët përballën edhe me një pasiguri ekonomike nga shkaku i pagave të ulëta të cilat nuk u jepen me rregull, ndërkohë që nuk kanë as kontrata të rregullta pune. Sipas hulumtimit të Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve (SPG), 45 për qind e gazetarëve kanë pagë më të ulët se mesatarja në nivel shteti dhe shumicës u vonohen pagat.

Selmani tha se Sindikata është në bisedime serioze me disa nga mediat në vend, ku pritet së shpejti nënshkrimi i marrëveshjeve kolektive të cilat do të përmirësojë situatën socio-ekonomike të gazetarëve. aa

Vuçiçi: Për të hyrë në BE, duhet të zgjidhim çështjen e kufirit

Rruga në Bashkimin Evropian çon edhe përmes përcaktimit të qartë të kufijve tanë, tha presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Duke folur për mediat serbe në lidhje me euro-integrimet, Vuçiq tha se Serbisë “nuk do t’i lejohet hyrja në BE pa zgjidhje të qartë të çështjes së kufijve”.

“Kur do ta zgjidhim, është çështje tjetër. A duam ta zgjidhim ose jo? Populli do të duhet të thotë në një referendum se çfarë mendon”, tha Vuçiq.

Ai vuri në dukje se ambasadori i ri i Francës në Beograd i ka thënë atë që është e njohur – se Serbia do të duhej të bëjë marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me Kosovën, e cila parashikon zgjidhje të çështjes së kufirit.

Vuçiq tha se konfliktet me shqiptarët “nuk kanë shanse dhe lumturi”.

Serbia, me Kushtetutë, e konsideron ende Kosovën pjesë të saj.

Daçiç: Dialogu me Kosovën do vazhdojë kur të zbardhet vrasja e Ivanoviçit

BEOGRAD – Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha sot se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojë atëherë kur pala serbe do të marrë informacione konkrete mbi zbardhjen e vrasjes së liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviç ne Mitrovicë.

“Vrasja e liderit të SDP-së, Oliver Ivanovic, është një kërcënim për stabilitetin në rajon dhe vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit” tha Daçiç.

Kreu i diplomacisë serbe shtoi se presin nga Prishtina zyrtare dhe nga autoritetet ndërkombëtare prezente në Kosovë zbardhjen sa më të shpejtë të krimit të kryer në veri të Mitrovicës.

“Pala jonë është e përkushtuar në dialog, por ne nuk do t’i vazhdojmë këto bisedime pa pranuar informacion konkret lidhur me krimin e ndodhur”-shtoi Daçiç, njofton Lajmi.net.

Daçiq foli edhe për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, duke thënë që një gjë e tillë potencialisht do të ndodhë në vitin 2025 dhe kjo është gjë e mirë për shtetin serb.

Aksident trafiku në Turqi, 11 të vdekur dhe 44 të plagosur

Të paktën 11 persona e kanë humbur jetën ndërsa 44 të tjerë janë plagosur në një aksident trafiku në Eskisehir të Turqisë qendrore

ESKISEHIR – Të paktën 11 persona e kanë humbur jetën ndërsa 44 të tjerë janë plagosur në një aksident trafiku në Eskisehir të Turqisë qendrore.

Sipas informacioneve shoferi i autobusit, nga shkaqe ende të panjohura është përplasur me pemët përskaj rrugës. Në autobus ndodheshin pasagjerët të cilët nga Ankaraja udhëtonin për në Bursa.

Guvernatori i Eskisehir-it, Ozdemir Cakacak dhe shefi i policisë Engin Dinc vizituan udhëtarët e shtruar në spital. Cakacak konfirmoi se në këtë tragjedi 11 persona humbën jetën.

Ai tha se të lënduarit nuk kanë plagë serioze dhe se kryesisht bëhet fjalë për fraktura. Guvernatori u dërgoi ngushëllime familjeve të viktimave ndërsa të plagosurve u dëshiroi shërim të shpejtë. aa

“Vdekje e shqiptarëve”, nisin kërcënime ndaj shqiptarëve në Serbi, pas vrasjes së Ivanoviçit

Lidhja e Social Demokratëve të Vojvodinës sot e dënoi me forcë grafitet anti-shqiptare të shënuara në një ndërtesë private në Crvenkë, në pronësi të një personi me kombësi shqiptare.

Grafitet përmbajnë mesazhe kërcënuese si shenjë hakmarrë për vrasjen e Oliver Jovanoviç duke shkruar “Vdekje për shqiptarët”, në murin e një furre të bukës në pronësi të një shqiptari në Crvenkë.

Oliver Ivanoviç varroset në Beograd Oliver Ivanoviç

Familja e Ivanoviçit, gruaja Milena dhe vëllai Miroslav, nga ora 10:00 morën ngushëllime para kortezhit në Varrezat e reja, ku prej mbrëmë u ekspozua arkivoli me kufomën e Ivanoviçit me ç’rast qytetarët i shprehnin nderime

BEOGRAD – Në prani të disa mijëra njerëzve në Alenë e qytetarëve të shquar në Varrezat e Reja në Beograd u varros udhëheqësi i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç, i cili para dy ditëve u vra në veri të Mitrovicës në Kosovë.

Familja e Ivanoviçit, gruaja Milena dhe vëllai Miroslav, nga ora 10:00, morën ngushëllime para kortezhit në Varrezat e reja, ku prej mbrëmë u ekspozua arkivoli me kufomën e Ivanoviçit , me ç’rast qytetarët i shprehnin nderime.

Peshkopi i Rashkës-Prizrenit Teodosije tha se Ivanoviç nuk e ka drejtuar gishtin e tij tek njerëzit, por ai ka folur për problemet që duhet të zgjidhen së bashku dhe se “çështja e Kosovës nuk ishte çështje politike, por një çështje se si të përmirësohet jeta në jug dhe në veri të Ibrit” dhe se atë jo rrallë herë e respektuan edhe shqiptarët.

“Oliver qëndron me ne si një simbol i vendosmërisë sonë për të qenë vetë, luftën për të vërtetën dhe drejtësinë”, tha peshkopi Teodosije.

Në mesin e të pranishmëve ishin shumë miq dhe bashkëpunëtorë të afërt të Ivanoviçit. Delegacionin e Qeverisë së Serbisë e kryesonte kryeministrja Ana Brnabiç.

Ivanoviç është vrarë më 16 janar para zyrës së Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” në Mitrovicë. aa

Gjenerali serb: Pas vrasjes së Ivanoviçit nuk qëndron faktori shqiptar

Gjenerali Miomir Stojanoviç, ish-drejtori i Agjencisë Ushtarake të Sigurisë Serbe dhe ish-kryetari i Komitetit Parlamentar për Kontrollin e Shërbimeve të Sigurisë, ka vlerësuar se pas vrasjes së politikanit serb në veri të Mitrovicës, Oliver Ivanoviç, me siguri nuk qëndron faktori shqiptar, ka deklaruar Stojanoviq për mediet serbe

“Vlerësimi im se pas kësaj vrasjeje nuk qëndron faktori shqiptar, pasi që ata kanë mundur ta vrasin kur kanë dashur, por nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Mendimi im është që kjo është vrasje me motive politike ose pjesë e grupeve kriminale në veri të Kosovës”, ka deklaruar Stojanoviq, transmeton “Zëri”.

Vrasjen me motive politike ky i fundit e ka sqaruar se kjo ka ndodhur në kohën kur kanë rifilluar bisedimet për Kosovën në Bruksel, ndërsa Ivanoviq ka qenë “shumë i respektueshëm mes komunitetit serb në Kosovë”.

Serbia kërcënoi Kosovën me ushtri, ja si përgjigjet KFOR

Vrasja e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP) Oliver Ivanoviç, ka ngritur shumë reagime dhe tensione ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mes shumë deklaratave dhe reagimeve, Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandër Vulin, ka dhënë një mesazh të qartë për zhvillimet e fundit në vend duke thënë se ushtria e Serbisë është e gatshme të reagojë ndaj çfarëdo kërcënimi për qytetarëve serbë kudo që jetojnë.

“Ushtria e Serbisë është e gatshme të mbrojë çdo pjesë të territorit tonë dhe jemi mjaft të organizuar dhe të përgatitur për të gjithë qytetarët e Serbisë dhe i sigurojmë se paqja dhe stabiliteti i vendit tonë nuk mund të rrezikohet, nëse ushtria serbe është këtu”, ka thënë të mërkurën Vulin.

E nga ana tjetër, deklarata e Vulinit nuk është shqetësuese për forcën ushtarake të vetme që ofron paqe dhe siguri në vend, KFRO-in.

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, në një përgjigje për portalin ‘arbresh.info’ lidhur me deklaratën e Aleksandër Vulinit ka thënë se KFOR-i vazhdon të garantojë një mjedis të sigurt dhe të lirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“KFOR vazhdon të garantojë një mjedis të sigurt dhe të garantojë një liri të lëvizjes nëpër Kosovë, nën dispozitat e rezolutës së OKB-së 1244 për të gjithë qytetarët e të gjitha etniteteve. KFOR mbetet vigjilent, dhe duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me organizatat vendëse dhe ndërkombëtare të sigurisë”, thotë në përgjigje Grasso.

Portali “arbresh.info” i ka dërguar pyetje edhe Forcës së Sigurisë së Kosovës për deklaratat e shefit të ushtrisë serbe, por Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie më Publikun në Ministrinë e Forcës së Sigurisë ka thënë se FSK nuk është përgjegjëse për ruajtjen e sigurisë dhe rendit.

“Përgjegjës për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në Kosovë është Policia e Kosovës dhe KFOR-i”, ka thënë shkurt Shala.

E Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ka thënë të martën për media se Policia e Kosovës është duke e hetuar më përkushtim të madh vrasjen e politikanit serb në Kosovë.

“Policia e Kosovës me përkushtimin më të madh do të bëjë çdo gjë në mundësitë dhe kapacitetet tona për ta zbardhur këtë rast”, ka thënë Maxhuni.

Kujtojmë se Oliver Ivanoviq u qëllua për vdekje të martën rreth orës 8:10 minuta para selisë së partisë së tij, Iniciativa Qytetare. Sipas autopsisë ai u qëllua në pjesë e sipërme të trupit me gjashtë plumba nga një pistoletë e tipit Zastava M70A, prodhim serb. Trupi i Ivanoviqit u gjet nga një fqinj që ishte duke shkuar në dyqan. Nga hetimet e deri tanishme ende nuk dihet kush janë autorët e kësaj vrasje.

Media kroate: Ivanoviçin ja pse e vrau shërbimi sekret serb

Vrasja e Oliver Ivanoviçit, liderit të Iniciativës Qytetare «Liri, demokraci, drejtësi» e ka tronditur me themel Serbinë e Kosovën, por i ka shqetësuar edhe të gjitha shtetet përreth, të cilat dëshmojnë për tensione të përditshme të ndërsjella të dy vendeve, shkruan portali kroat Dnevno.hr.

Ivanovicin e likuiduar, prokuroria e Kosovës e ka akuzuar për krime lufte mbi popullatën civile në Kosovë, të bëra në vitin 1999 e 2000, duke e paraqitur si komandues të formacioneve paramilitare.

I vrari «i ngacmonte» të tjerët për krime lufte

Dhe deri sa faji i kosovarëve për shumëkënd imponohet si e vetmja përgjigje e arsyeshme në pyetjen se «kush është vrasësi», ndërsa lufta parashihet si rrjedhë logjike, një burim i informuar mirë portalit tonë i ka zbuluar anën tjetër të tregimit.

«Nuk do të ketë kurrfarë pasojash e as që do të ndodhë kurrfarë lufte ndërmjet Serbisë e Kosovës. Është krejtësisht e sigurt se e ka likuiduar shërbimi sekret dhe se Serbia e ka miratuar këtë. Ivanoviqi, në fakt, është shkolluar në Zagreb dhe ka qenë bashkëpunëtor i KOS-it (shërbimit sekret të Armatës Popullore Jugosllave), ndërsa nuk është fshehtësi se ka qenë njeri i besueshëm i Aleksandar Vasileviqit, shefit të shërbimit të KOS-it. Vështirë është të shitet tregimi se shërbimet sekrete nuk kanë ditur se kjo do të ndodhë. Serbia zyrtare vrasjen e Ivanoviqit heshtazi e ka lejuar dhe, nëse nuk ngrihet shumë zhurmë e mediave, për këtë që pasnesër nuk do të flasë më askush». Teoria e burimit të portalit Dnevno.hr mbështetjen e mundshme e ka në faktin se vetëm dy ditë para atentatit, CIA sigurisht e informuar, ka dhënë paralajmërim alarmuese për Kosovën, me të cilin  ka tërhequr vërejtjen për terrorizëm të mundshëm dhe dhunë të motivuar politikisht, e cila paraqitet anembanë vendit.

Është vrarë për të ndaluar bisedimet për njohje? «Serbët nuk e kanë të panjohur ta heqin qafe cilindo politikan të tyre, i cili nuk u shkon për shtati. Ne kemi shërbim jashtëzakonisht të fortë të inteligjencës dhe të paralajmërimit. Kreu i ynë politik është i vetëdijshëm se duhet ta njohim Kosovën… Meqë Ivanoviqi me aktgjykimin për krime nuk u ka pëlqyer kosovarëve, ka qenë zgjidhje ideale për likuidim, me të cilin Serbia do ta drejtonte gishtin kah Kosova. Thjesht, kanë kërkuar mënyrë për t’i ndaluar bisedimet…».   Mbi urgjencën e zgjidhjes së situatës kosovare-serbe, këto ditë kanë bërë të ditur edhe mediat serbe. «Amerikanët tashmë po i humbasin nervat, sepse dëshirojnë ta mbyllin tregimin mbi Kosovën si shtet i pavarur me pranimin në OKB, gjë që pushteti aktual i Beogradit është dashur ta përfundojë në vitin 2015. Tash do të bëjnë gjithçka që të marrin atë që kanë planifikuar, sepse për shkak të premtimeve të kreut shtetëror serb se do të përfundojnë me Kosovën e kanë mbështetur Aleksandar Vuçiqin dhe pushtetin e tij, duke i mbyllur sytë para shuarjes së opozitës dhe censurën e mediave».

A është kjo vrasje zgjidhje të cilën e ka miratuar vetë Aleksandar Vuçiqi për t’iu shmangur njohjes së Kosovës, sigurisht se kurrë nuk do të merret vesh. Mirëpo, se si i është drejtuar në mënyrë dramatike publikut  ka zbuluar më shumë se sa është dashur. Vuçiqi, në fakt, ka shprehur dëshirën që Serbia t’i bëjë hetimet, ka premtuar zbulimin e vrasësit dhe i ka qëruar hesapet me të gjithë ata të cilët «kanë marrë guximin të mendojnë se ai personalisht ka ndonjë lidhje me këtë».

Dialogplus

Ekzekutimi i Ivanoviçit – Serbia ka informacione sekrete për vrasësin

Drejtori i Policisë serbe, Vladimir Rebiq, ka thënë se ende nuk kanë përgjigje nga EULEX-i dhe UNIMK-u lidhur me kërkesën e Serbisë për të përfshirë autoritetet në hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviçit.

“Pronari i makinës së djegur në Mitrovicë është një serb nga Austria, i cili ka kohë që ka vdekur”, ka thënë Rebiq për RTS, raporton B92.

Rebiq ka theksuar se ky informacion është i saktë pasi e kanë marrë konfirmimin e policisë austriake, duke shtuar se janë duke bërë përpjekje të gjendet blerësi i fundit i automjetit.

Sipas tij, autoritetet serbe kanë disa njohuri që tregojnë për ekzekutuesit e mundshëm të vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

“Ne kemi informacion lidhur me pronarin e këtij automjeti dhe jemi duke u përpjekur të mbledhim informacione të tjera. Nuk mund të tregoj më shumë detaje pasi do të rrezikohet hetimi”, ka thënë drejtori i Policisë serbe, raporton Express.

Ai ka thënë se Ministria e Brendshme dhe BIA janë duke mbledhur informata dhe prova që do të çojnë deri të kryesit e veprës dhe krijuesi i këtij krimi.

“Unë besoj në policinë serbe dhe në BIA, në sajë të burimeve njerëzore dhe materiale ne do të jemi në gjendje të gjejmë kryesin dhe atë që e ka urdhëruar këtë vrasje”, ka përfunduar Rebiq. Oliver Ivanoviq u vra mëngjesin e së martës në Mitrovicën veriore.

B92: Vuçiçi do të kalojë të shtunën e të dielën në Kosovë

VOAL – Në faqen e tij në internet, radiotelevizioni B92, njofton se presidenti Vuçiç do të kalojë të shtunën dhe të dielën në Kosovë, lajmin e ka bërë të ditur të martën kabineti i presidentit serb.

Vuçiçi, sipas B92, do të vizitojë Mitrovicën, Graçanicën dhe Llapja Sellën të shtunën në mbrëmje, në mënyrë që të qëndrojë e të bisdojë me serbët në Kosovë.

B92 njofton se më herët të martën Vuçiçi tha se vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviç në veri të Kosovës ishte një akt terrorist dhe Serbia do ta trajtojë si akt terrorist.

Sipas B92, Vuçiçi njoftoi se Serbia iu ka kërkuar EULEX-it dhe UNMIK-ut të marrë pjesë në hetimin në territorin e Kosovës.


Send this to a friend