VOAL

VOAL

Greqi, arrestohen dy gazetarë gjermanë

Janë dërguar në prokurori dy gazetarët, të cilët theksohet se punojnë për kanalin gjerman ARD në rajonin Dimetoka në kufi

ATHINË – Në Greqi janë arrestuar dy gazetarë gjermanë të cilët janë kapur në zonën e ndaluar ushtarake në kufirin e Greqisë me Turqinë.

Sipas lajmit të “Kathimerinit” mësohet se janë dërguar në prokurori dy gazetarët, të cilët theksohet se punojnë për kanalin gjerman ARD në rajonin Dimetoka në kufi.

Për dy gazetarët, ku njëri është grua, të moshës 31 dhe 33 vjeç theksohet se ka kaluar në veprim ambasada gjermane në Athinë.

Në anën tjetër, theksohet se gazetarët në deklaratat e tyre në polici janë shprehur se po punonin mbi një lajm në lidhje me turqit që kthehen nga Gjermania në Turqi në mënyrë të paligjshme. aa

Sllobodan Millosheviçit monument në Beograd?

Shoqata e Qytetarëve Sloboda dhe aktivistët e rinj të SPS kanë nisur iniciativën për Asamblenë e Qytetit për të ndërtuar një monument të Sllobodan Millosheviqit në Beograd.

Ata gjithashtu kërkojnë që një rrugë dhe një shesh të marrë emrin sipas ish-udhëheqësit serb dhe jugosllav, njofton e përditëshmja Vecernje Novosti.

Sipas gazetës, iniciativa iu dorëzua autoriteteve të qytetit të premten në mesditë, dhe iniciativa iu dërgua gjithashtu edhe në Presidencën e Serbisë.

Iniciatorët besojnë se Millosheviçi ishte një nga burrështetasit më të mëdhenj të Serbisë moderne që nuk lejoi që dikush ta poshtërojë popullin serb, ai lejoi krijimin e një sistem shumëpartiak, e mbrojti vendin nga NATO dhe  është një detyrim moral për qytetarët e Serbisë që në këtë mënyrë paguajnë borxhin e mirënjohjes.

Të shtunën, 11 mars, mbushen 12 vjet që nga vdekja e Millosheviçit, i cili u burgos dhe u gjykua në Tribunalin e Hagës.

Millosheviç dhe familja e tij ishin në listën e personave të ndaluar të hyjnë në Bashkimin Evropian. Ai është i lidhur me ndryshimin e politikës në Serbi që nga fundi i viteve 1980, sidomos nga fjalimi i famshëm në Gazimestan dhe sesioni i 8-të i SKK të Serbisë.

Emri i tij ishte i lidhur me vrasjen e Ivan Stamboliç dhe katër vrasjet në autostradën Ibar, por gjithashtu me ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në ngjarjet në të gjitha fushat e betejës së ish-Jugosllavisë, veçanërisht me ngjarjet e tilla si vrasjet masive në Srebrenicë, ngjarjet në Vukovar dhe të ngjashme me këto. Ai u akuzua për krime kundër njerëzimit në Kroaci dhe Kosovë dhe gjenocid në Bosnje-Hercegovinë nga Tribunali i Hagës./B92

Tensionohen në kulm marrëdhëniet Turqi-Greqi, Ankaraja kërkon përmbajtje

Turqia dhe Greqia nuk po gjejnë dot mënyrën për të jetuar në paqe të plotë, me përplasje të vazhdueshme diplomatike dhe ushtarake, shkruan “Panorama”.

Tensionet politike dhe ushtarake midis Greqisë dhe Turqisë janë rritur në muajt e fundit, pasi Presidenti Recep Tayyip Erdogan bëri thirrje për rinegociatat e kufijve mes të dy vendeve dhe një anije patrullimi turke goditi një anije greke bregdetare në Egje.

Turqia gjithashtu ka arrestuar dy ushtarë grekë mbi akuzat e spiunazhit, pasi kaluan kufirin e saj. Një gjykatë turke refuzoi lirimin e tyre të hënën, edhe pas kërkesave të zyrtarëve më të lartë grekë.

Greqia gjithashtu nuk i ka dorëzuar ushtarët turq të dyshuar për përfshirje në grushtin e dështuar të korrikut 2016, duke refuzuar t’i ekstradojë në Turqi. Por në Greqi, zërat kundër Turqisë janë rritur me arrestimin e dy ushtarëve grekë, të cilët protestuesit i kanë quajtur bij të të gjithë Greqisë.

Revoltat kanë rezultuar me djegien e flamurit turk në Athinë, çka ka tensionuar edhe më tej situatën, me zyrtarë turq që raportohet të jenë shprehur se janë gati të vdesin për flamurin.

Ministria e Jashtme turke kërkoi nga autoritetet greke që të veprojnë kundër protestuesve të së djathtës ekstreme, të cilët kanë djegur flamurin turk në një tubim të organizuar nga “Agimi i Artë” në Athinë, ku bëhej thirrje për dy ushtarët e arrestuar javën e kaluar pasi aksidentalisht, siç ka thënë pala greke, kanë kaluar kufirin e Turqisë, ndërsa patrullonin në verilindje, në Evros.

Në njoftimin e ministrisë turke thuhet se, “Ne dënojmë me forcë djegien e flamurit tonë gjatë një tubimi kundër Turqisë të organizuar nga një parti politike raciste në Athinë më 5 mars. Ne kërkojmë që autoritetet greke të arrestojnë keqbërësit, të cilët kanë kryer këtë veprim të tmerrshëm kundër flamurit tonë dhe t’i çojnë ata para drejtësisë sa më shpejt që të jetë e mundur”. Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Hami Aksoy, kritikoi edhe deklaratat lidhur me Turqinë dhe integritetin e saj territorial nga Presidenti grek Prokopios Pavlopulos.

“Ne ftojmë Presidentin Pavlopulos të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe kufijtë tanë, si dhe të përmbahet nga një retorikë, e cila nuk është e përshtatshme për pozitën e tij dhe që mund të shkaktojë tensione të panevojshme”, tha Aksoy. Shtypi grek njoftoi se Pavlopulos ka thënë: “Ne nuk mund të kemi territorin që duhet të kishim historikisht … Nëse historia na detyron, ne do të bëjmë atë që kanë bërë paraardhësit tanë”.

Deklarata e Presidentit grek është bërë gjatë një ceremonie ku mori titullin “Qytetar Nderi” në Pydna-Kolindros në Pieria, veriu i Greqisë. Në një thirrje drejtuar Turqisë në këtë kohë tensionesh, për të respektuar obligimet e saj ndërkombëtare, Pavlopoulos kujtoi gjithashtu se “Greqia ka një zë dhe qëndrim në Bashkimin Europian”.

Ai shtoi se dëshiron që vendi të ketë marrëdhënie të mira me fqinjët, përfshirë Turqinë dhe mbështet ambiciet e vendit për t’u anëtarësuar në BE, nëse Ankaraja respekton “totalisht lidhjet ndërkombëtare dhe europiane … dhe veçanërisht Traktatin e Lozanës dhe Ligjin e Detit”.

Pavlopoulos po u referohej thirrjeve të fundit nga Ankaraja për një “përditësim” të traktatit që përkufizon kufijtë mes Greqisë dhe Turqisë, por edhe përpjekjeve për të parandaluar eksplorimin e hidrokarbureve në zonën ekskluzive ekonomike të Qipros.

Vuçiç në Bukuresht: Zgjidhje për Kosovën, më pas anëtarësim në BE

Presidenti rumun Klaus Iohanis ka theksuar se është e domosdoshme gjetja e zgjidhjes për Kosovën, meqë pa të nuk ka integrim në Bashkimin Evropian

BEOGRAD – Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç gjatë vizitës së tij të punës në Rumani sot zhvilloi takim me presidentin e këtij vendi Klaus Iohanis.

Vuçiç i ka kërkuar presidenti rumun që të kyçet në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, gjë të cilën Iohanis e pranoi duke theksuar se është e domosdoshme gjetja e zgjidhjes për Kosovën, meqë pa të nuk ka integrim në Bashkimin Evropian (BE), bëjnë të ditur nga Kabineti i presidentit serb.

Që të dy diskutuan për integrimet evropiane dhe për pozitën e pakicave kombëtare në të dy shtetet.

Presidenti serb Vuçiç në Bukuresht deklaroi se pala serbe është e interesuar për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik me Rumaninë, sidomos në industrinë automobilistike, kimike dhe të ndërtimit.

Siç njoftojnë nga presidenca serbe, Vuçiç në takimin me kryeministren e Rumanisë Vjorika Dançila konstatuan se është e domosdoshme të punohet në hapjen e vendkalimeve, rindërtimin dhe modernizimin e infrastrukturës hekurudhore Beograd-Timishuarë, rruga evropiane si dhe ndërtimi i autostradës Beograd-Timishuarë.

Greqia merr oferta për eksplorimin e naftës në det të hapur

Ministri grek i Energjisë, George Stathakis, duke përshëndetur interesin nga kompanitë e naftës tha se ishte një votëbesim për ekonominë e vendit

ATHINË – Menaxhimi i Burimeve të Hidrokarbureve (HHRM) bëri të ditur se Greqia ka marrë oferta nga kompanitë kryesore të naftës, Exxon, Total dhe Repsol për eksplorimin e naftës dhe gazit në det të hapur.

Sipas HHRM-së, një nga dy konzorciumet, Exxon, Total dhe Hellenic Petroleum paraqitën një përpjekje për të eksploruar naftë dhe gaz në jug të ishullit Kreta.

Kompania poashtu deklaroi se Hellenic Petroleum gjithashtu ka bashkuar forcat me kompaninë spanjolle Repsol në një përpjekje për të kërkuar hidrokarburet për një bllok në Detin Jon.

Sipas agjencisë shtetërore greke të lajmeve, vlerësimi i ofertave pritet të përfundojë.

Ministri grek i Energjisë, George Stathakis, duke përshëndetur interesin nga kompanitë e naftës tha se ishte një votëbesim për ekonominë e vendit.

Vendi nisi ofertat për eksplorimin e naftës dhe gazit në vitin 2017 në Detin Jon dhe në jug të ishullit të Kretës. aa

Turqia thotë se do të mbajë samit për situatën në Siri në muajin prill

Pamje nga shkatërrimet në Goutan Lindore. 5 mars, 2018

Hami Askoy nuk ka thënë se ku do të mbahet ky samit. As Rusia, por as Irani nuk kanë konfirmuar menjëherë këtë informacion.

Duke folur në një konferencë për media në Ankara, Askoy tha se Turqia do t’i tregojë zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara se pritet që Uashingtoni të ndërmarrë hapa konkret për marrjen e armëve që u ka dhënë milicisë të kurdëve sirianë YPG. Zyrtarët turk dhe amerikanë pritet të takohen në Uashington më 8 dhe 9 mars.

Askoy tha se ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu do të vizitojë Moskën më 12 dhe 14 mars, ndërsa do të qëndrojë në Uashington më 19 mars.

Cavusoglu pritet të takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara.

Askoy tha se Cavusoglu, gjatë vizitës në Gjermani, po ashtu do të bisedojë për ekstradimin e liderit të kurdëve të Sirisë, Saleh Muslim, i cili është liruar nga një gjykatë çeke, pavarësisht kërkesës së Turqisë për ekstradim.

Ushtria e Malit të Zi numëron 1.769 pjesëtarë

Sipas të dhënave nga raporti, nga 1.796 pjesëtarë të ushtrisë, prej tyre 237 janë oficerë, 470 nënoficerë, 243 persona civilë, ndërsa 549 ushtarë të angazhuar me kontratë

PODGORICË – Formacionin ushtarak të mbrojtjes malazeze në vitin 2017 e përbënin 1.769 ushtarë, tregon raporti mbi gjendjen e ushtrisë për vitin e kaluar, që Qeveria e Malit të Zi e miratoi në seancën e fundit.

Sipas të dhënave nga raporti, nga 1.796 pjesëtarë të ushtrisë, prej tyre 237 janë oficerë, 470 nënoficerë, 243 persona civilë, ndërsa 549 ushtarë të angazhuar me kontratë. Në ushtri janë të punësuar 177 gra, prej të cilave 70 gra ushtarë profesioniste, ndërsa 107 gra janë persona civilë në shërbim të ushtrisë.

“Mosha mesatare e personave të punësuar në ushtri është 40 vjeç. Struktura më e pafavorshme e moshës është tek nënoficerët dhe arrin 43 vjeç. Më e favorshme është tek ushtarët me kontratë dhe arrin 32 vjeç”, shtohet në raport.

Lidhur me misionet e jashtme, gjatë vitit 2017 pjesëtarët e ushtrisë së Malit të Zi kanë qenë të angazhuar në katër misione ndërkombëtare. aa

Grekët për emrin e Maqedonisë: Të jetë i përbërë nga një fjalë e vetme

Mediat greke vazhdojnë të bëjnë publike pjesë të siç theksojnë propozim-marrëveshjes midis Athinës dhe Shkupit për zgjidhjen e çështjes së emrit. Gazeta greke “Nea Selida” shkrua se Greqia propozon emër të gjerë, por në formë të një fjale. Kjo gazetë vë në dukje se Qeveria greke propozon emër për përdorim të përgjithshëm. Për shembull, vendi mund të quhet “Gorna Makedonija” (Maqedonia e Epërme) por vetëm si një fjalë e vetme dhe jo e ndarë. Gazeta “Nea Selida” përmend edhe shkurtesën MK, të cilën thotë se Greqia nuk e pranon. Sipas shkrimeve shkurtesa do të mund të ishte “GO” ose “GM”. Në analizën e saj, kjo gazetë e përmend edhe çështje e identitetit.

Lidhur me identitetin e qytetarëve të shtetit shumë-etnik, ata do të mund të identifikohen si “qytetar të Maqedonisë së Epërme”, në mënyrë që asnjë grup etnik të mos ndjehet i nënvlerësuar ose me të drejta të shkelura”……shkruan “Nea Selida” për të shtuar se Athina zyrtare dëshiron zgjidhje të plotë të të gjitha çështjeve, mes të cilave edhe irredentizmi, veçanërisht nëpër librat shkollorë.

Mediat greke gjithashtu shkruajnë se me heqjen e përmendore së Aleksandrit të Madh nga brendësia e Aeroportit të Shkupit, i hapet rruga lidhjes së serishme ajrore midis dy vendeve. Aterimi i parë pas 12 viteve do të jetë diplomatik dhe do ta sjellë në Shkup ministrin e Jashtëm grek Nikos Kocias, me siguri kah mesi i këtij muaji”, shkruan “Nea Selida”.

Por pavarësisht shkrimeve të tilla të mediave greke, kryeministri Zoran Zaev ende nuk e di datën e saktë të mbërritjes së shefit të diplomacisë greke në Shkupit. Sipas tij për vizitën e Kociasit do të vendosin vetë ministrat e jashtëm brenda këtyre ditëve.

“Nuk e di, besoj që do të vij gjatë këtij muaji, me siguri këtë do ta konfirmojnë të dy ministrat së bashku”, ka thënë më herët kryeministëri Zoran Zaev.

Gjatë vizitës në Shkup, sipas paralajmërimeve shefi i diplomacisë greke Nikos Kocias pritet ta sjellë edhe draft-propozimin për zgjidhjen e kontestit shumë vjeçar midis Greqisë dhe Maqedonisë. Vetë kryeministri Zoran Zaev pak ditë më parë në një intervistë për mediat ndërkombëtare tha se ndërmjetësi i OKB-së Metju Nimic në tavolinën e bisedimeve ka shtruar 5 propozime, njëri prej të cilëve është hedhur poshtë. Në shqyrtim janë emrat Republika e Maqedonisë (Shkupi), Maqedonia Veriore, Maqedonia e Epërme dhe Maqedonia e Vardarit, raporton Alsat -M.

Shqiptarët mbrojnë Greqinë, dëshmi rrëqethëse nga kufiri me Turqinë

Situata është tensionuar shumë mes Greqisë dhe Turqisë gjatë muajve të fundit me fërkime të vazhdueshme në det, ajër dhe tokë. Grekët dhe turqit nuk kanë ndarë ende hesapet mes tyre për disa ishuj në Egje, ndërsa problematikat e brendshme të të dyja qeverive u japin edhe më tepër shtysë që të rrisin artificialisht tensionet jashtë.

Gjatë ditës së djeshme, rojet kufitare turke arrestuan pjestar të ushtrisë greke në zonën kufituare mes dy vendeve në lumin Evros (turqit e thërrasin Meriç). Në dukje është një ngjarje e zakonshme që më parë është zgjidhur brenda pak orësh, por kësaj radhe situata ndryshon.

Albeu.com kontaktoi që në mëngjes me djem shqiptar që shërbejnë në ushtrinë greke, pikërisht në zonën kufitare me Turqinë ku edhe ndodhi incidenti duke marrë një informacion paraprak se njëri prej ushtarëve të arrestuar dyshohej ishte me origjinë shqiptare, i cili më pas rezultoi i pavërtetë.

Duket e pabesueshme, por janë shqiptarët ata që po mbrojnë grekët nga rreziku turk dhe kjo nuk po ndodh aspak rastësisht.

Kjo, pasi mësuam se 40 për qind e ushtarëve që gjenden në zonën mes Turqisë dhe Greqisë janë pikërisht djem të familjeve shqiptare që kanë emigruar në shtetin helen vite më parë.

“Këtu ku jemi ne, në kufi me Turëinë, në Evros, jemi 40 për qind shqiptarë. Grekët kanë miq dhe rrinë në Athinë, kurse neve na sjellin në kufi me Turqinë, në kulmin e tensioneve. Me sa kam mësuar këtu, kjo është politikë e ministrit Kamennos, i cili drejton një parti nacionalistësh dhe na ka vendosur në shënjestër të gjithë shqiptarëve që kanë pasaporta greke”., – rrëfen për një i ri shqiptar që shërben në ushtrinë greke.

“Kohët e fundit situata është përkeqësuar shumë. Kur u bë ajo përplasja me anijen (një anije turke goditi anijen greke në ishujt Imia sh.r) na dërgonin çdo ditë me tanke, raketa dhe armë të rënda në vijën e kufirit”.

“Nga oficerët këtu trajtohemi mirë, por 95 për qind e shqiptarëve që bëjnë ushtrinë në Greqi sillën të shërbejnë në kufi me Turqinë”., vijon ai rrëfimin.

Mësohet se toga e fundit e rekrutëve të rinj të dërguar në zonën kufitare përbehej nga 8 shqiptarë dhe vetëm 4 grekë.

Shqiptarët përbëjnë një numër të konsiderueshëm në ushtrinë greke, për të cilët gjendja është përkeqësuar me ardhjen e Panos Kamenosit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.

Me t’u rekrutuar, ata dërgohen në zonën më problematike të Greqisë, siç është pikërisht kufiri greko-turk ku edhe rreziku i ndonjë konflikti është tepër i madh me ashpërsimin e gjuhës nga Ankaraja zyrtare.

Ushtria greke e alarmuar: Turqit kanë kapur dy ushtarët tanë në kufi

ATHINË – Pas incidentit në detin Egje kur një anije turke përplasi atë të Greqisë, me sa duket “paqja” mes të dyjave është e largët. Tensionet mes dy vendeve janë rikthyer që prej ditës së djeshme kur dy ushtarë grekë u kapën në territorin turk, teksa patrullonin në zonën e Kastanies në Evros.

Sipas mediave greke, ushtarët e kapur janë mirë me shëndet, por në rast se më herët, për ngjarje të tilla në një zonë ku kufiri mund të kalohet padashje, zgjidheshin në nivele të ulëta drejtuesish, tani është dashur ndërhyrja dhe negociatat e zyrtarëve në nivele të larta.
greqi
Sipas Zougla.gr, e cila iu referohet burimeve të ushtrisë greke, kapja e ushtarëve mund të cilësohet e qëllimshme, pasi bëhet fjalë për një zonë të pyllëzuar, ngatërresa të cilat kanë ndodhur edhe në të kaluarën por nuk janë znadhuar kaq shumë.

Zougla.gr shkruan ndër të tjera se rasti madje është trajtuar edhe në gazetat më me zë në Turqi si “Hurriyet” dhe “Milliyet” të cilat kishin në faqe kryesore titujt: “Dy ushtarë grekë u arrestuan në Evros”.

E ndërsa grekët e cilësojnë të stisur dhe të fryrë këtë rast, mësohet se autoritetet turke kanë nisur tashmë procedurat për kthimin e ushtarëve në Greqi, pas verifikimeve.

Situata e krijuar mes dy vendeve ka vënë në alarm repartet ushtarake greke në ishujt dhe zonat kufitare pranë Turqisë.

Mediat serbe: Thaçi e Haradinaj nuk kanë arsye për festë, INTERPOL-i do t’i kërkojë përsëri

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi janë dy nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë hequr nga fletarrestet e INTERPOL-it, por ata së shpejti do të kthehen në to, shkruan “Blic” i Beogradit, duke iu referuar burimeve të veta.

Siç transmeton Gazeta Express, sipas informatave jozyrtare të mediumit serb, ankesa e Serbisë për fshirjen nga sistemi i INTERPOL-it i emrave të Thaçit dhe Haradinajt, si dhe të rreth 20 ish-pjesëtarëve të UÇK-së për të cilët Serbia pat shpallur fletarreste ndërkombëtare duke i akuzuar për krime lufte, do të pranohet dhe do të miratohet. Kjo, madje, do të ndodhë brenda më së shumti një jave, shkruan “Blic”.

Siç njoftoi dje Gazeta Express MPB-ja serbe ka njoftuar se lidhur me fshirje e emrave  të ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka parashtruar ankesë në Komitetin Ekzekutiv të Interpolit.

“Në koordinim me institucionet tjera, menjëherë pas njoftimit se nga sistemi i Interpolit janë fshirë më shumë fletarreste për krime lufte, kemi parashtruar ankesë për shkak të këtij akti”, kanë thënë nga MUP-i për gazetën “Novosti”, ndërsa të njëjtin njoftim sot e transmeton edhe “Blici”.

Në ankesën serbe, shkruan gazeta, “me përpikëri janë cekur të gjitha shkeljet e së drejtës materiale dhe rregullave që e definojnë punën e Interpolit”, me përfundimin se kjo organizatë ka marrë vendim të paligjshëm.

“Kjo është precedent në punën e kësaj organizate. Presim që Komiteti Ekzekutiv në mbledhjen e parë të ardhshme, brenda pak ditëve, ta pranojë ankesën tonë dhe që vendimi i disa individëve nga shërbimi juridik i Interpolit urgjentisht të ndryshohet, ashtu që të gjitha fletarrestet e fshira do të kthehen në sistemin e Interpolit”, thonë nga MUP-i.

Sipas medias beogradase, ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë hequr nga feltarrestet e kuqe duke anashkaluar komisionet kompetente të organizatës.

Ministri i Brendshëm i Kosovës Flamur Sefaj të martën njoftoi se ka marrë konfirmim nga Interpoli se kjo organizatë i ka pezulluar fletarrestet për ish-anëtarët e UÇK-së, të cilët Serbia i akuzon për krime lufte.

“Vendkalimet ndërkombëtare kufitare në të ardhshmen edhe zyrtarisht do të jenë të hapura për Ramush Haradinajn, por edhe për bashkëluftëtarët e tij të afërt nga ditët terroriste – Hashim Thaçin, Azem Sylën, Shujkri Bujën, Lirim Jakupin…”, shkruan shtypi serb.

Ministri malazez: Do dërgojmë ushtarë malazezë në misionin e KFOR në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Predrag Boskoviç diskutoi dje gjatë takimit me sekretarin amerikan të sigurisë në Pentagon, James Mattis, për reformat dhe mbështetjen e SHBA ndaj Ushtrisë së Malit të Zi, sidhe për përfshirjen e ushtarëve të rinj malazezë në misionin e KFOR në Kosovë.
Boskoviç bashkë me sekretarin amerikan Mattis, diskutuan mbi modalitetet e pjesëmarrjes së përbashkët të të dyja vendeve në kuadrin e pranimit të Forcave të NATO-s.
Qëllimi i Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi, Boskoviç tha se është rritja e numrit të zyrtarëve malazezë në misionin mbështetës, kështu për të dërguar dy ushtarë të stafit në misionin e KFOR në Kosovë, si dhe të sigurohet pjesëmarrje në misionet dhe operacionet e tjera të udhëhequra prej NATO-s.
Kështu shkruan në komunikatën e Qeverisë së Malit të Zi, e cila njofton për takimin që pati ministri malazez me Sekretarin amerikan të Shtetit në Pentagon.
Sekretari amerikan i Shtetit tha se Mali i Zi ka bërë përparim të dukshëm në zbatimin e reformave të nevojshme sociale si dhe, është bërë një aleat i besueshëm brenda Aleancës.
Mali i Zi, tha Mattis, po jep kontribut të rëndësishëm në paqen dhe sigurinë kombëtare.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të japin mbështetje të fortë për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë e Malit të Zi në forcimin e kapaciteteve të përgjithshme të mbrojtjes.

Veteranët e luftës në Bosnje i bllokojnë rrugët

Doboj, Bosnje, 1 mars 2018.

Veteranët e luftës kanë bllokuar rrugët në disa pjesë të Bosnje dhe Hercegovinës për të kërkuar përfitime shtesë.

Sipas raporteve, veteranët e luftës së viteve 1992-95, në mënyrë paqësore, i përfunduan bllokadat në Federatën Myslimano-Kroate të vendit, mëngjesin e sotëm.

Protesta ka nisur të mërkurën dhe ka bërë që mijëra njerëz të mbeten të bllokuar në automjetet e tyre, në temperatura të ftohta.

Që nga përfundimi i luftës, Bosnja përbëhet nga dy entitete të ndara: Federata Myslimano-Kroate dhe Republika Sërpska. Të dyja i kanë qeveritë e tyre.

Ish-luftëtarët e Ushtrisë Boshnjake dhe Këshillit Kroat të Mbrojtjes kanë bllokuar rrugët në Tuzlla, Zenica dhe Doboj, si dhe rrugën nga Sarajeva për në Konjiq.

Veteranët protestues u bëjnë thirrje ligjvënësve t’i përgjigjen kërkesës së tyre për 326 marka në muaj përfitim për veteranët e papunësuar.

Ata po ashtu kërkojnë një regjistër të unifikuar të atyre që kanë luftuar në luftë.

Kryeminsitri i Federatës Myslimano-Kroate, Fadil Novalliq, tha në një konferencë për media se Federata nuk mund t’i përballojë përfitimet shtesë për veteranët.

Novalliq po ashtu tha se qeveria është e gatshme të negociojë dhe paralajmëroi se krijimi i kaosit nuk sjell zgjidhje.

Bushati takon Ivica Daçiçin, diskutime për Kosovën dhe Luginën e Preshevës

Gjatë diskutimeve në takim, Ministrat morën në shqyrtim arritjet e kësaj nisme dhe bashkëbiseduan mbi drejtimet e ardhshme të punës në kontekstin e dinamikës së evropianizimit të rajonit. Diskutimet u përqendruan në qasjen e përbashkët të vendeve të rajonit dhe bazuar mbi avokatinë e Italisë për një rigjallërim të politikës së zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe Strategjinë e publikuar së fundmi nga Komisioni Evropian, si një dokument që e vë theksin në jetësimin e ëndrrës integruese të rajonit.

“Axhenda trilaterale ka kontribuar në konsolidimin e bashkëpunimit politik mes vendeve tona, si dhe ka ndihmuar në ndërtimin e një imazhi të ri që bazohet në bashkëpunimin rajonal dhe vënien në jetë të politikave dhe projekteve të BE-së në Ballkan me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Italisë dhe BE-së.”, theksoi Ministri Bushati në ndërhyrjen e tij.

Ministrat e vunë theksin në shtimin e përpjekjeve të përbashkëta për implementimin e angazhimeve të Procesit të Berlinit, veçanërisht hartës së rrugës që përcaktoi Samiti i fundit i Triestes për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale dhe jetësimin e axhendës së ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjetike.

Në takim, u konfirmua angazhimi dhe vendosmëria e vendeve për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon, si objektiv i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor, çka duhet të shërbejë si themeli i forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit për çështjet e sigurisë, duke tejkaluar ndasitë dhe interesat e ngushta kombëtare.

Gjithashtu, Ministrat u dakordësuan të shtrijnë veprimin e Trilateralit edhe në nivel sektorial, përmes një kalendari periodik takimesh të institucioneve dhe agjencive të linjës.

Gjatë qëndrimit të tij në Beograd, Ministri Bushati zhvilloi një takim me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, Ivica Daçiç.

Lidhur me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Ministri Bushati theksoi mbështetjen e vendosur të Shqipërisë për Dialogun me ndërmjetësinë e BE-së, si instrumenti i duhur për të arritur drejt zgjidhjeve të përbashkëta për një sërë çështjesh të rëndësishme në dobi të jetës së qytetarëve të dy vendeve.

“Ky është investimi më i mirë që ofron mundësi reale drejt pajtimit përfundimtar dhe rrugës së përbashkët evropiane”, theksoi Ministri Bushati. Më tej ai kërkoi nga pala serbe vullnet real dhe angazhim të vendosur politik për çështje që përfshijnë kufizimet dhe pengesat për tregun e energjisë, gjithpërfshirjen dhe anëtarësimin në organizatat rajonale e ndërkombëtare.

Ministri Bushati nënvizoi interesin e posaçëm të qeverisë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke kërkuar më shumë kujdes e vëmendje dhe përfshirje më të madhe në jetën socio-ekonomike të Serbisë, si dhe garantimin e të drejtave tërësore.

Në kuadrin dypalësh, Ministri Bushati evidentoi pasurimin me zhvillime të reja të marrëdhënieve shqiptaro-serbe, për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh dhe rajonal përmes sinergjive për evropianizimin e mëtejshëm rajonit.

Bushati sot në Beograd, takim trepalësh mes Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë

Ministria e jashtme italiane në një komunikim me mediat ka informuar se Ministri Angelino Alfano ndodhet sot me mision diplomatik në Beograd për të marrë pjesë në takimin trepalësh Itali- Serbi-Shqipëri. Në këtë takim merr pjesë Minsitri i jashtëm shqitpar Ditmir Bushati dhe Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç. Fillimisht ky takim ishte programuar të mbahej më datë 9 janar por u shtye për më datë 27 shkurt.Ky është takimi i tretë trepalësh që zhvillohet mes këtyre vendeve. Takimi i parë është mbajtur në Romë më 23 janar të 2015, e një vit më vonë më janar të 2016 në Tiranë. Italia ka qënë gjithmonë në krahë të Shqipërisë dhe Serbisë në afrimin e tyre drejt Bashkimit Europian. Përshpejtimi i rrugëtimit europian i dy vendeve të Ballkanit, probleme të lidhura me sigurinë ndërkombëtare, emigracionit, cështje të ekonomisë, energjisë dhe transportit janë në axhendën e punës së këtij takimi. Ministria e Jashtme italiane informon se takimi trepalësh në Beograd do të mbahet në vilën Mir e rreth orës 14.20 do të zhvillohet konferenca e përashkët e shtypit e 3 ministrave. Italia mban presidencën e radhës në OSBE e Misitri i jashtëm italian do të takohet në Beograd dhe me kreun e këtij misioni në Serbi diplomatin italian Andrea Orizio.

Skandali i gruas, jep dorëheqjen ministri grek i Ekonomisë

Ministri i Ekonomisë dhe Zhvillimit në Greqi, Dimitris Papadimitriou ka dhënë dorëheqjen. Kjo vjen disa orë pas dorëheqjes së bashkëshortes së tij, Rania Antonopoulou, ministre e Punës, kompetente për uljen e Papunësisë.

Kjo e fundit dha dorëheqjen pasi merrte subvencione për qiranë e banesës.

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras ka pranuar të dyja dorëheqjet e ministrave. Ndërsa sot do të kryejë kompozim të detyruar brenda pak orësh pas largimit të dy ministrave në fjalë, por edhe për shkak të gjendjes së rënduar të shëndetit te ministrit të Emigracionit, Janis Muzalas, njoftojnë mediat vendase.

Kryeministri grek duhet të shpallë emrat e rinj të kabinetit sa më shpejt. Çifti ministror, më të pasurit e qeverisë sot e të ardhur nga New York për të kontribuuar në nxjerrjen e vendit nga kriza, merrnin edhe asistencë për qira nga populli grek, një skandal ky i zbuluar nga opozita.

Gjithsesi, nuk priten ndryshime të mëdha nga kryeministri Cipras, por vetëm të detyrueshme.

Vuçiçi: Na duhet një marrëveshje me Prishtinën, përndryshe mbytemi në të kaluarën tonë

Presidenti serb Aleksandër Vuçiçi tha se ne duhet të kuptojmë se sa dhe pse është e rëndësishme për të arritur një kompromis me Prishtinën, përndryshe do të themi: “mbytemi në të kaluarën tonë”.

Vuçiq në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin e KE-së Jean-Claude Juncker, tha se “jam duke e kërkuar mbështetjen e Komisionit Evropian dhe të gjitha fuqive botërore”.

“Nëse nuk e kuptojmë, dhe ju e dini mirë se çfarë dua të them për pavarësinë e Kosovës, ne duhet të bëjmë kompromise… nëse nuk e bëjmë, do të shkatërrojmë veten në të kaluarën tonë – paralajmëroi presidenti serb”, tha ai.

Vuçiqi foli për një marrëveshje të detyrueshme ligjërisht me Prishtinën, ku shtoi se ishte e rëndësishme të gjente një kompromis me shqiptarët dhe të zgjidheshin historikisht këto marrëdhënie, për të krijuar miqësinë e dy popujve.

“Kjo është çështja më e vështirë për ne, dhe kjo është një pyetje për Serbinë të gjithë qytetarët tanë dhe për të ardhmen tonë”, tha Vuçiq.

Ai vuri në dukje se marrëveshja duhet të jetë e tillë që si Beogradi edhe Prishtina të humbasin diçka. Një palë nuk mund të marrë gjithçka, dhe tjetra humbet gjithçka, theksoi ai, raporton “Vestinet”.

Shpresoj që shqiptarët të kuptojnë se sa e rëndësishme është kjo marrëveshje. Ai tha se do të bënte gjithçka për të gjetur zgjidhjen, edhe nëse ishte e vështirë.

Terroristi që sulmoi ambasadën amerikane në Podgoricë ishte i dekoruar nga Millosheviçi

Policia malazeze dyshon se Dalibor Jaukoviç (43-vjeçar), është personi që hodhi bombën në oborrin e ambasadës amerikane gjatë natës së mbrëmshme dhe pastaj vdiq në një shpërthim tjetër, raportojnë mediat malazeze.

Jaukoviç ka jetuar në Podgoricë dhe është i lindur në Kraljevë.

“Nuk ka viktima të tjera në shpërthim, dhe motivi është ende i panjohur”, raportojnë mediat.

Në profilin e tij në facebook, shihet se Jaukoviq ishte nderuar me medalje për merita në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë së Republikës Federale të Jugosllavisë në vitin 1999.
Jaukoviç iu dha medalje për “angazhim të jashtëzakonshëm në kryerjen e detyrave në mbrojtje të vendit”

Sulm në ambasadën amerikane në Podgoricë

Qeveria e Malit të Zi tha se një person i panjohur hodhi një mjet shpërthyes mbi ndërtesën e ambasadës amerikane në Podgoricë, ndërsa më pas hodhi veten në erë, rreth gjysmë ore pas mesnatës.

Në një postim në rrjetin twitter, qeveria tha se “një person i panjohur bëri vetëvrasje me një pajisje shpërthyese. Para kësaj, ai person hodhi një pajisje shpërthyese nga kryqëzimi pranë Qendrës së Sporteve në ambasadën e Shteteve të Bashkuara”.

Qeveria malazeze tha se “me gjasë, mjeti shpërthyes ishte granatë dore. Hetimet anë duke u zhvilluar” por nuk ka dhënë më shumë hollësi.

Nuk ka pasur dëme në njerëz e as dëme materiale në ambasadën amerikane e cila paralajmëroi shtetasit amerikanë që të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin ambasadën deri në një njoftim të radhës. Të gjitha shërbimet konsullore për ditën e enjte, janë anuluar.

Mali i Zi, një nga vend i vogël me dalje në det, u bë anëtari i 29-të i NATO-s në muajin maj të vitit 2017.

Paga mesatare, më e larta në Slloveni, më e ulëta në Kosovë

Sipas të dhënave të fundit zyrtare, pagat mesatare më të larta në rajon i ka Sllovenia dhe Kroacia, ndërsa më të ulëtat Kosova dhe Maqedonia.

Të dhënat e Entit statistikor të Sllovenisë tregojnë se në fund të vitit 2017 paga mesatare neto mujore në Slloveni u rrit në 1.062 euro, që është një rritje nominale prej 3.1 për qind, kurse reale prej 1.7 për qind në krahasim me vitin 2016.Vitin e kaluar si në sektorin privat ashtu edhe publik Sllovenia ka shënuar rritje të të ardhurave mesatare mujore.

Pas Sllovenisë radhitet Kroacia, ku sipas të dhënave të fundit, paga mesatare është rreth 835 euro. Sipas Byrosë Qendrore të Statistikave (DZS), paga mesatare mujore neto për një punëtor në Kroaci në nëntor të vitit të kaluar ishte 6.190 kuna ose 832 euro, që paraqet rritje mujore nominale prej gati 3 për qind kurse në atë vjetore prej 6.6 për qind.

Ndërkaq, të dhënat e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) tregojnë se paga mesatare në Kosovë për vitin 2017 ishte 363 euro, shifër që tregon për pagë më të ulët mesatare në rajon.

Ndërsa, të dhënat e Entit të Statistikave të Maqedonisë tregojnë se në nëntor të vitit 2017 paga mesatare neto mujore në këtë vend arriti në 23.196 denarë ose 377 euro.

Sipas Agjencisë për Statistikave, paga mesatare mujore neto në BeH në dhjetor të vitit 2017 ishte në 862 MK (Marka Konvertibile), apo 440 euro, ku nominalisht ishte më e lartë për 0.6 për qind në krahasim me muajin e mëparshëm dhe me 1.1 për qind më e lartë në krahasim me muajin dhjetor 2016.

Pas BeH-së pasojnë Shqipëria dhe Serbia. Duke u bazuar në Institutin e Statistikave të Shqipërisë, paga mesatare e miratuar në Shqipëri, për sektorin shtetëror për tremujorin e tretë të vitit 2017 është 458 euro.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Serbisë, paga mesatare neto në dhjetor 2017 arriti në 54.344 dinarë apo 459 euro, e cila është një rritje nominale dhe reale për 14.2 për qind në në krahasim me muajin nëntor.

Pas Serbisë pason Mali i Zi, ku sipas të dhënave të fundit nga Enti i Statistikave shtetërore të këtij vendi (Monstat), paga mesatare në muajt e fundit të vitit 2017 arriti në 512 euro. Shuma e pagës mesatare neto në vend në dhjetor ka mbetur e njëjtë si në nëntor ndërsa në raport me muajin dhjetor të vitit 2016 u rrit për 0.6 për qind. aa

2 milionë euro kanabis gati për treg, pranga 2 shqiptarëve në Turqi

Dy shqiptarë, njëri prej të cilëve me origjinë nga Kosova, janë arrestuar nga Policia e Stambollit teksa po përpiqeshin të hidhnin në treg 200 kg kanabis në llojit skunk.

Gazeta turke “Milliyet” tha se droga në Turqi ishte futur nga dy trafikantët 27-vjeçari D.R. nga Kosova dhe 33-vjeçari me iniciale J.A. nga Shqipëria.

 

Sipas medias turke, dy të arrestuarit ishin pjesë e një rrjeti ndërkombëtar droge me qendër në Shqipëri, ndërsa vlera në treg e drogës së kapur ishte mbi 2 milionë euro.

Droga raportohet se është futur në Turqi me rrugë tokësore dhe po fshihej në një adresë në Kucukcekmece.

 

Trafikantët shqiptarë e kishin ndarë kanabisin në paketa dhe e kishin bërë gati për shpërndarje në momentin e arrestimit.

Kryediplomati malazez: S’ka ndryshime të veçanta në marrëveshjen e demarkacionit

Marrëveshja e re mes dy presidentëve të Kosovës dhe të Malit të Zi do të mund ta korrigjojë marrëveshjen teknike që ishte arritur tri vite më parë, por sipas ministrit malazez, Srxhan Darmanoviç nuk do të ketë ndryshime të veçanta.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srgjan Darmanoviç, i pyetur nëse në bazë të asaj marrëveshjeje mund të ndodhë ndryshimi i kufirit, Darmanoviç është përgjigjur se deklarata politike e Thaçit dhe Vujanoviçit konfirmon atë që tashmë ekziston në Marrëveshje, në nenin 7, shkruan tg. “Prandaj, nuk ka ndryshime të veçanta”, iu ka thënë gazetarëve Darmanoviç, dhe shpjegoi se me nenin 7 pasi që të dyja vendet e ratifikojnë marrëveshjen, Komisioni duhet të dalë në terren dhe të kryejë këtë proces.

Sipas tij, ekziston mundësia që disa korrigjime të vërtetohen metër për metër. “Marrëveshja për kufirin duhet të ratifikohet, e këtu bëhet fjalë për korrigjime eventuale teknike që nuk sjellin kurrfarë rezultati negativ për asnjërën prej palëve në procesin negociator”, shtoi ai, raportojnë mediat malazeze.

Gjuriçi: Do të bisedohet për Asociacionin, Ivanoviçin…

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha se më 26 shkurt, në Bruksel, pas më shumë se 14 muajsh, do të vazhdojë dialogu me Prishtinën për çështje teknike.

Ai tha se Beogradi do të këmbëngulë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në adresimin e çështjeve themelore të jetesës për popullin serb, si dhe në hetimet për vrasjen e politikanit serb në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviç.

“Beogradi është i gatshëm të shkojë në Bruksel. Do të kemi shumë pyetje për bashkëbiseduesit nga Prishtina”, tha Gjuriçi për gazetarët në Bruksel.

“Për ne, nuk ka çështje më të rëndësishme se Asociacioni i komunave serbe. Këtë na e kanë borxh që 1,767 ditë dhe kjo është temë mbi të gjitha temat”, tha Gjuriq.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar të dielën se dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojë më 26 shkurt..

Senatori Johnson: “Popujt e Ballkanit duhet të falin njëri-tjetrin për të ardhmen”

“Të gjithë duhet të shikojmë në të ardhmen. Askush nuk do të harrojë të kaluarën. Popujt në rajon të tentojnë të falin për të pasur një të ardhme më të mirë”, tha senatori amerikan, Johnson, pas takimit me Vuçiçin

BEOGRAD – Senatori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Ron Johnson, deklaroi dje në Beograd se nga popujt e Ballkanit nuk kërkon që të harrojnë të kaluarën, por të falin njëri-tjetrin për hir të së ardhmes.

“Të gjithë duhet të shikojmë në të ardhmen. Askush nuk do të harrojë të kaluarën. Por kërkoj nga të gjithë popujt në rajon që të tentojnë të falin për të pasur një të ardhme më të mirë”, tha Johnson pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ai tha se çdo marrëveshje duhet të ketë ide për të ardhme më të mirë për të gjithë popujt që jetojnë në Ballkanin Perëndimor.

Johnson shtoi se në Prishtinë do të dërgojë porosinë se “durimi dhe fleksibiliteti janë ato që do të ndihmojnë të ecim përpara”.

Ai shtoi se ngritja e flamurit serb para Shtëpisë së Bardhë para 100 viteve tregon se Serbia është e rëndësishme për paqen rajonale, por edhe botërore dhe sot është i bindur se populli serb dëshiron paqe dhe stabilitet për të gjithë njerëzit në rajon.

Vuçiç tha se me senatorin Johnson ka biseduar për katër tema, marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve, çështja e normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, procesi i integrimit evropian dhe rajoni.

Tema e cila iu kushtua më shumë kohë në konferencën e shtypit ishte Kosova, ndërsa Vuçiç tha se SHBA-të dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme meqë SHBA-të kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, ndërsa Serbia jo.

Ai tha se Serbia është e hapur për bisedime dhe e gatshme për zgjidhje me kompromis, porse, siç tha, për kompromis nevojiten dy palë.

“I luta SHBA-të, si vend që ka pasur ndikim të madh në krijimin e asaj që shqiptarët e Kosovës dhe shumë të tjerë e quajnë pavarësia e Kosovës, që neve të na ndihmojnë në stabilizimin e rajonit, duke u kërkuar shqiptarëve një zgjidhje më fleksibile që do të përbënte një kompromis”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se Beogradi dhe Prishtina doemos duhet të gjejnë zgjidhje dhe se një produkt i rëndësishëm i kësaj zgjidhjeje do të ishte të qetësohen marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve si dy popujt më të mëdhenj në Ballkan për një periudhë të gjatë dhe të parandalohet largimi i të rinjve nga të dy vendet.

“Të sjellim një zgjidhje e cila do të jetë e mirë për fëmijët tanë dhe të ardhmen, e që Serbia mos të jetë e poshtëruar”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se lajm i mirë është se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë paqe dhe stabilitet në rajon dhe tha se me senatorin bisedoi për vizitën në Zagreb.

Vuçiç tha se me Johnson ka biseduar për Bosnjë e Hercegovinën duke u shprehur se Serbia mbështet integritetin territorial të këtij shteti dhe integritetin e Republika Sërpska në kuadër të BeH-së.

Ai tha se Serbia dhe SHBA-të kanë shkëmbim ekonomik prej 560 milionë dollarë, dhe se të dyja palët presin që shkëmbimi të jetë në nivel më të lartë.

Vuçiçi: Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës vazhdon më 26 shkurt

“Mendoj se në tavolinën e bisedimeve do të vendosen të gjitha temat, duke filluar nga Bashkësia e Komunave Serbe, deri tek diplomat”, tha presidenti i Serbisë në një prononcim për gazetarët

BEOGRAD – Dialogu teknik mes Beogradit dhe Prishtinës do të rifillojë më 26 shkurt, ndërkohë që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç sqaroi se delegacioni serb do të kryesohet nga Marko Gjuriç.

“Dialogu teknik në të cilin Beogradi do të përfaqësohet nga Marko Gjuriç do të vazhdojë më 26 shkurt. Mendoj se në tavolinën e bisedimeve do të vendosen të gjitha temat, duke filluar nga Bashkësia e Komunave Serbe, deri tek diplomat”, tha presidenti i Serbisë në një prononcim për gazetarët.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić(Ana Brnabiç), me herët gjatë javës deklaroi se është duke punuar në zbatimin e marrëveshjes për energjetikë, që sipas saj është e vetmja çështje e ngelur për zbatim nga ana e tyre.

Vuçiç tha më tej se në fund të muajit, ose në fillim të tjetrit do të vazhdoj dialogu në të cilin do të përfshihen edhe ai, si dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. “Për sa i përket Serbisë, ne jemi gjithmonë të gatshëm. Jam i gatshëm t’u përgjigjem ndërmjetësve evropianë të çdo kohë”, tha ai.

Rikujtojmë se takimi i dy delegacioneve u anulua më 16 janar, si pasojë e vrasjes së liderit të nismës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç.

Pas një takimi të mbajtur sot me studentët nga Mitrovica, Vuçiç tha se çështja më e rëndësishme është që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë konsensus “me të cilin do të mbeten të kënaqura të dyja palët”, pasi siç tha, nuk e imagjinon dot anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara pa një marrëveshje paraprake me Serbinë.

“Nëse dikush dëshiron në OKB, e ka patjetër një marrëveshje me Serbinë, për çka nevojitet një kompromis i cili përfshinë marrëveshjen ‘pak ne-pak ju”, tha Vuçiç.

Greqi, mbahet festivali “Nata e Fantazmave”

Duke ardhur nga vende të ndryshme të Greqisë, pjesëmarrësit në festival janë veshur me kostume të bëra me maska interesante dhe lëkurë të kafshëve

AMFISSA – Festivali “Ghost Night”, i cili bazohet në kujtimin e një historie tragjike dashurie të së kaluarës në Greqi, u zhvillua në qytetin Amfissa me pjesëmarrjen e qindra njerëzve të veshur me “kostume të fantazmave”.

Në festivalin i cili këtë vit zhvillohet për herë të 23-të dhe i cili konsiderohet si një prej festivaleve më shumëngjyrëshe të vendit kanë treguar interes një numër i madh personash nga çdo grupmoshë.

Duke ardhur nga vende të ndryshme të Greqisë, pjesëmarrësit janë veshur me kostume të bëra me maska interesante dhe lëkurë të kafshëve.

Pjesëmarrësit në festival kanë shëtitur në këtë rajon me pishtarë në duart e tyre. Evenimenti përfundoi me ndezjen e një zjarri në sheshin e qytetit. aa

Kryeministri Tsipras autorizon fazën finale të negociatave me Shqipërinë

Burime diplomatike pranë Ministrisë së Jashtme greke i kanë konfirmuar Top Channel se kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka autorizuar fazën finale të negociatave për shportën e çështjeve të pazgjidhura mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Sipas këtyre burimeve, dy ditë më parë, kryeministri grek ka dhënë dakortësinë dhe fuqinë ekzekutive për minisitrin e Jashtëm dhe ekipin negociator grek, për të kaluar në fazën e shkrimit të marrëveshjeve mes dy vendeve.

 

Mësohet se në Kretë, në Korçë, por edhe gjatë takimit të fundit që dy ministrat e Jashtëm kishin në Bullgari, janë detajuar edhe pak prej pikave me të cilat dy palët nuk kishin një pozicion përfundimtar. Top Channel ka mësuar se tashmë konsiderohen të mbyllura marrëveshja e detit, ku palët kanë detajuar çdo pikë të saj, madje kanë dakortuar edhe në hartë për ndarjen e re të vijës bregdetare dhe të zonës ekskluzive ekonomike.

Lidhur me këtë, pala jonë ka bërë kujdes, me qëllim zbatimin e përpiktë të së drejtës ndërkombëtare, duke bërë kujdes që të mos “mërzisë” edhe aleatin e madh të Shqipërisë, Turqinë.

Tillerson: SHBA-ja e njeh të drejtën e Turqisë për mbrojtjen e kufijve

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ka thënë se Shtetet e Bashkuara e njohin të drejtën legjitime të Turqisë për të mbrojtur kufijtë e saj.

Ai i ka bërë këto deklarata gjatë një takimi në Ankara me qëllim të uljes së tensioneve në mes të dy aleatëve të NATO-s.

Pasi ka biseduar me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, Tillerson i ka bërë thirrje Ankarasë të tregojë përmbajtje gjatë operacioneve në rajonin Afrin të Sirisë dhe të mënjanjojë hapa që mund të përshkallëzojnë tensionet.

Duke folur në konferencën e njëjtë për media, Cavusoglu, ka thënë se Turqia dhe Shtetet e Bashkuara janë pajtuar për nevojën e normalizimit të marrëdhënieve bilaterale, duke premtuar krijimin e “mekanizmave” për të diskutuar çështjet problematike.

Turqia është e zemëruar për mbështetjen e Uashingtonit ndaj milicëve kurdë, të njohur si Njësitet për Mbrojtjen e Popullit (YPG).

Turqia e konsideron YPG-në si grup terrorist, të lidhur me rebelët kurdë që luftojnë brenda Sirisë.

Mirëpo YPG ka qenë aleatja kryesore e SHBA-së, në luftimin e grupit ekstermist, Shteti Islamik në Siri.

Tillerson është takuar më 15 shkurt me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan për më shumë se tri orë.

Në fund të dy palët kanë thënë se diskutimi ka qenë produktiv mirëpo jovendimtar.

Një bisedë telefonike e zbulon konspiracionin për vrasjen e Zaevit?

Javorja “Fokus”, në numrin e saj më ri thotë se ka mësuar detale për skenarin e përgjakshëm që është dashur të luhet në shtëpinë legjislative më 27 prill të vitit të kaluar, njofton Portlb.mk.

“Zoran Zaev ai duhet do të duhej që të vritet, për çka ka ekzistuar edhe bisedë telefonike mes dy bashkëbiseduesve. Ai i cili duhej që ta kryejë vrasjen, në bisedë ka thënë se nuk e ka bërë pasi që nuk ka pasur shënjestër të pastër”, shkruan “Fokus”.

Ndryshe, më 27 prill të vitit të kaluar, në shënjestër të dhunuesve të cilët akuzohen për terrorizëm ishin kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela. Ashtu siç u njoftua edhe nëpër media, të dy, u sulmuan përgjakshëm, ndërkaq Sela ishte edhe në rrezik për jetë.

Kotzias e pranon: Kemi mbyllur paketën e çështjeve të hapura me Shqipërinë (video)

Greqia i konsideron te mbyllura ceshtjet qe kane qene prej shume kohesh te hapura me Shqiperine.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ne nje interviste te dhene mbreme per televizionin “Alpha” ka theksuar prere se Greqia i ka mbyllur gjithë çështjet hapura me Shqipërinë, dhe ka shprehur shpresën që së shpejti të kurorëzohet marrëveshja përfundimtare.

Ai ka pranuar se paketa e ceshtjeve qe ishin te hapura prej 70 vitesh tashme kurorezohet ne nje marreveshje.

“Kishim probleme të hapura me dy nga tre fqinjët tanë veriorë, me Shkupin dhe me Shqipërinë. Para një muaji e mbyllëm me Shqipërinë gjithë paketën e çështjeve të hapura që prej 70 vitesh”- ka thene ai, duke shtuar me tej se “kjo është një gjë e mirë. Vendi nuk duhet të ketë probleme të hapura”.

Sipas Kotzias, qendrat e dy vendeve me te cilat kishin probleme te hapura kane rtreguar maturi dhe mencuri ne raport me fqinjet.

“Me palën shqiptare bisedimet tona dhe negociatat mbajtën dy vjet e gjysëm. Rrjedhimisht janë pjekur kushtet dhe ishte e natyrshme që që një moment të mbërrinim në një përfundim të mirë të tyre dhe shpresoj që të arrijmë aty”, tha ministri grek, por pa dhene detaje rreth paketes konkrete dhe marreveshjes.

Detaje të reja për vrasjen e Ivanoviçit, pse përmenden Thaçi e Haradinaj

Kryetarja e Lëvizjes Europiane të Serbëve për Kosovën, Rada Trajkoviç ka deklaruar se lideri i Iniciativës Qytetare LDD (GI SDP), Oliver Ivanoviç, kishte njoftuar BIA-n (shërbimi informativ i Serbisë) se nga cilët persona kërcënohej, shkruan “Danas” e Beogradit.

Sipas BIA, Ivanoviç shqetësimin e tij ia kishte përcjellë edhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe komunitetit ndërkombëtar.

Ne sot nuk kemi asnjë prononcim, ta zëmë, të presidentit të Serbisë, i cili ka pasur informacion nga drejtori i BIA-s (Bratisllav) Gashiqit dhe nga shërbimet e tij se cilët ishin ata persona të cilët i kishte përmendur Ivanoviç”.

“Nga ana tjetër, tregimi për gëzhojat, të cilat janë të rëndësishme për shkak të gjurmëve të gishtave gjatë ekspertizës dhe hetimit, flet për mungesë të seriozitetit të hetimit nga aspekti i vullnetit dhe përkushtimit që me të vërtetë të gjenden ata që janë të përzier në krim”, ka thënë Trajkoviç.

Ajo po ashtu është shprehur se nga pushtetet në Beograd e Prishtinë nuk pret të “dalin” me emrat e vrasësve dhe nuk beson se do të bëhen të ditur emrat e atyre që janë të implikuar në vrasjen e Ivanoviqit deri sa të jenë në pushtet strukturat pushtetare e të dy palëve, pos nëse është i pranishëm edhe faktori ndërkombëtar, “gjë që varet nga interesimi i tij që të shantazhojë njërën e palën tjetër”.

“Autoritetet në Beograd mbajnë në pushtet Thaçin (Hashimin) dhe Haradinajn (Ramushin). I ndërlidhin bizneset e ndryshme – projektet legale e ilegale, prandaj do të investojnë më shumë përpjekje për të ruajtur njëri tjetrin. Në mes të tyre ndodhet edhe mafia e cila në veri (të Kosovës – sqarim ynë) ka krijuar atë ambient dhe ka rrezikuar në vazhdimësi Ivanoviqin përmes keqtrajtimit fizik të familjes së tij, djegies së veturës, kërcënimit dhe një varg gjerash për të cilat fliste Oliveri”, ka thënë Trajkoviç.

Ajo ka shtuar se shqiptarët nuk kanë shumë të dhëna rreth asaj çfarë ndodhë në veri të Kosovës, meqë strukturat e vendosura atje janë kryesisht serbe dhe “ato raportet i përcjellin në Beograd”.

Ivanovi është vrarë më 16 janar para selisë së Partisë “Liri, Demokraci, Drejtësi” (LDD) në Mitrovicën veriore. Dy policë qenë arrestuar për manipulim të fakteve nga vendi i ngjarjes, por gjykata nuk ka pasur bazë për t’iu caktuar paraburgim 30 ditësh dhe ata janë lënë të lirë./koha

Markoviq: Është arritur marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi

Gazeta Express merr vesh se vizita e kryeministrit të Malit të Zi ka dhënë fryte. Dy palët kanë arritur marrëveshje për demarkacionin

Vizita e kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq, në Prishtinë përfundimisht pritet ta zgjidhë çështjen e demarkacionit, e cila po e mban të bllokuar Kosovën tash e tre vjet.

Gazeta Express merr vesh nga burimet e saj se Markoviq gjatë takimeve në Prishtinë me liderët kosovarë ka gjetur gjuhë të përbashkët për çështjen e kufirit dhe se kjo temë do të marrë epilog shpejt.

Një burim i besueshëm i ka thënë Gazetës Express se Prishtina dhe Podgorica kanë rënë dakord që në ditët në vijim të kenë një komunikim intensiv që do ta prodhojë zgjidhjen.

“Dy delegacionet e larta janë dakorduar që të ketë një komunikim intensiv ditëve të ardhshme në të gjitha nivelet dhe të shihet se ku mund të jenë bërë gabimet. Pastaj do t’i hapet rrugë ratifikimit me një procedurë të shpejtë. E gjitha do të kryhet gjatë muajit shkurt”, ka thënë një zyrtar i lartë për Gazetën Express.

Gjatë takimeve me udhëheqësit kosovarë Markoviq ka lënë të kuptohet se vendi i tij do të angazhohet që të gjendet një zgjidhje në mënyrë që Kosova ta ratifikojë marrëveshjen.

Tensione të forta Greqi-Turqi, Cipras ultimatum homologut turk

Tensionet mes Greqise dhe Turqise arrijne kulmin, Mediat greke raportojne sot se raporti mes vendeve ka shkenuar piken me kritike qe pas vitit 1996.

 

Pas incidentit te djeshem ne det, kur anija turke perplasi anijen e rojes bregdetare greke ne Egje, tonet mes dy vendeve jane rritur.

Perballe kesaj situate, mediat greke bejne me dije se kryeministri grek Cipras ka telefonuar urgjent homologun e tij turk, duke i dhene ultimatum te prere: Të ndërpriten menjëherë provokimet turke dhe shkeljet e bera se fundi ne Egje, lidhur me Imia.

“Ngjarjet si kjo në zonën Imia minojne drejtpërdrejt marrëdhëniet greko-turke dhe Turqia po shkel të drejtën ndërkombëtare”, tha Alexis Tsipras. Ne telefonaten mes tyre u ra dakord qe të intensifikohen dhe me tej bisedimet mbi masat për ndërtimin e besimit mes dy vendeve.

Nga ana e tij, mesohet se kryeministri turk Yildirim ka thene se incidenti i djeshëm nuk ishte rezultat i një veprimi të qëllimshëm.

Grabar-Kitaroviç: Dy vite për zgjidhjen e çështjeve kufitare

“Çështja e kufirit është sigurisht një nga çështjet e pazgjidhura. Rekomandimi ynë është që të vazhdojmë negociatat rreth kësaj çështjeje në mënyrë bilaterale””

ZAGREB – Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare dy-ditore në Kroaci, tha se çështja e kufirit mes dy vendeve është një nga çështjet e pazgjidhura, e cila nëse brenda dy viteve nuk zgjidhet me rrugë dypalëshe, do të dërgohet para organeve ndërkombëtare gjyqësore.

“Çështja e kufirit është sigurisht një nga çështjet e pazgjidhura. Rekomandimi ynë është që të vazhdojmë negociatat rreth kësaj çështjeje në mënyrë bilaterale, edhe në dy vitet e ardhshme në frymën e miqësisë dhe respektit të ndërsjellë. Në qoftë se në këtë periudhë nuk dakordohemi mbi çështjet kufitare, atëherë të diskutojmë për dalje para organve ndërkombëtare gjyqësor”, tha Grabar-Kitaroviç.

Ajo njoftoi gazetarët se me Vuçiç ranë dakord për të filluar punimet rreth përshpejtimit të rindërtimit të linjës hekurudhore nga Zagrebi, përmes Vinkovcit-Tovarnik dhe Shid për në Beograd. Ajo shtoi se të dy vendet mund të përdorin gjithashtu fonde evropiane për këtë projekt.

Të dy presidentët u pajtuan që të vazhdojnë të diskutojnë rreth një sërë çështjesh të pazgjidhura në të ardhmen, duke theksuar se gjatë takimit të sotëm kanë hapur shumë çështje dhe se në shumë gjëra nuk janë dakorduar, kurse rreth disa të tjerave i kanë përafruar qëndrimet.

“Ne ramë dakord që të vazhdojmë të flasim dhe është me rëndësi të madhe që kemi rënë dakord për disa çështje të pazgjidhura që ato përfaqësojnë jo vetëm përgjegjësinë tonë politike dhe kombëtare, por edhe njerëzore e morale, përgjegjësinë etike për qytetarët e vendeve tona, sidomos për familjet, nënat, të gjithë atyre që kërkojnë fëmijët, familjarët e tyre, se do të bëjmë gjithçka që është e mundur dhe njerëzore për të ndihmuar në këtë proces, që çështja e të zhdukurve të zgjidhet sa më shpejtë që të jetë e mundur. Natyrisht, ky është një problem shumë i madh, pasi ka kaluar shumë kohë nga lufta”, tha Grabar-Kitaroviç.

Gjithashtu u diskutua edhe rreth minoriteteve, gjendjes së serbëve në Kroaci dhe të kroatëve në Serbi. Grabar-Kitaroviç theksoi se është bërë një hap përpara, duke u dakorduar, përpara këtij takimi, që të përfshihen përfaqësuesit e shoqatave të të zhdukurve dhe pakicave kombëtare në delegacionet zyrtare shtetërore, të cilat do të mund të shprehnin pikëpamjet e tyre.

Grabar-Kitaroviç dhe Vuçiç gjatë takimit ranë dakord që përmes punës së komisionve ndërshtetërore të vazhdojnë punimet për të gjitha çështjet gjyqësore që i tangojnë të dyja vendet.

Ajo shprehu gatishmërinë për ndihmën politike, teknike dhe çdo ndihme tjetër që ajo mund t’i japë Serbisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Presidenti serb Vuçiç, pas takimit me presidenten kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç në Zagreb, deklaroi se në Serbi duan të krenohen me zgjidhjen e problemeve që ka minoriteti kombëtar kroat dhe shprehu shpresën se Kroacia do t’i ndihmonte pakicës serbe në Kroaci me krenari të mbajnë emrat dhe mbiemrat e tyre serb.

“Kemi pikëpamje krejtësisht të ndryshme për çështjen e kufijve dhe ne do të përpiqemi të zgjidhim këtë me rrugë bilaterale në dy vitet e ardhshme. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë ne do të shkojmë përpara organeve gjyqësore dhe të arbitrazhit”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se në Zagreb ka ardhur për të diskutuar të gjitha çështjet e hapura të cilat janë të shumta.

Duke folur rreth të zhdukurve Vuçiç tha se është duke pritur disa informacione të caktuara sa i përket zgjidhjes së kësaj çështjeje. Ai njoftoi se në dy javët e ardhshme do të presë përfaqësuesit e shoqatave të personave të zhdukur. Vuçiç potencoi se është e nevojshme të shihet se çfarë ka në arkiva kur bëhet fjalë për informacione mbi të zhdukurit dhe se kjo çështje duhet të trajtohet dhe të zgjidhet.

Ai theksoi se Serbia dhe Kroacia duhet të kenë marrëdhënie shumë më të mira në të ardhmen.

Ai konfirmoi se Beogradi zyrtar është i interesuar në rindërtimin e hekurudhës drejt Zagrebit, e cila është me rëndësi kyçe për Kroacinë dhe Serbinë. aa

Jeremiç: “Vuçiçi vitin e ardhshëm planifikon vizitë shtetërore në Prishtinë”

Kryetari i Partisë Popullore Vuk Jeremiç deklaroi sot se vizita e presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Zagreb shërben si prova për ardhjen e tij në Prishtinë. Sipas Jeremiçit, Vuçiçi ka planifikuar një vizitë në Prishtinë pas nënshkrimit të marrëveshjes detyruese – juridike dhe pasi që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara me “bekimin e autoriteteve aktuale të Serbisë”.

“Vuçiç planifikon që në shkurtin e vitit të ardhshëm të shkojë për vizitë shtetërore në Prishtinë te partnerët e tij të koalicionit dhe bashkëpunëtorëve të Ramush Haradinajt e Hashim Thaçit dhe pastaj të niset për në Perëndim e të thotë : ‘Ja, e shihni se ça mund të arrij – nuk ka lojtar më të mirë nga unë’”, tha Jeremiç, shkruan televizioni serb Nasha.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nisi të hënën një vizitë dyditëshe në Kroaci.

Presidenti serb Vuçiç nis vizitën në Kroaci

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç është duke vizituar Kroacinë në mesin dhe protestave dhe tensioneve të rritura.

Ai pritet të takohet me presidentin kroat, Kolinda Grabar Kitaroviq.

Kjo është vizita e parë e presidentëve të të dy vendeve në pesë vjet.

Më vonë presidenti serb pritet ta takojë edhe kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq dhe kryeparlamentarin, Gordan Jandrokoviq.

Vuçiq po ashtu pritet të takohet edhe me përfaqësues të tjerë dhe liderë religjiozë.

Marrëdhëniet bilaterale kanë qenë të tensionuara nga shpallja e pavarësisë së Kroacisë më 1991.

Dhjetëra veteranë të luftës dhe nacionalistë kanë protestuar kundër Vuçiqit, i cili njihet si nacionalist nga periudha e luftës por që tani e prezanton veten si reformist pro-evropian.

Bashkimi Evropian ka thënë se Serbia duhet të krijojë marrëdhënie të mira fqinjësore nëse dëshiron t’i bashkohet bllokut.

Kroacia është tashmë anëtare e BE-së.

Përmes një mesazhi në Twitter, presidenti Kitaroviq ka thënë se ka ftuar homologun e tij serb, ‘ me qëllim të mirë ashtu që të dyja vendet të kenë dëshirë për të tejkaluar konfliktet dhe ngjarjet që na mbajnë peng në të kaluarën dhe të vazhdojmë tutje duke lejuar zhvillim për popullin dhe shtetet tona”.

Duke konfirmuar ftesën, Vuçiq ka thënë se bisedimet e tij me zyrtarët kroatë, “nuk do të jenë të lehta, mirëpo jam i bindur se do të jenë mira si për Kroacinë ashtu edhe për Serbinë”.

Vulin: Beogradi duhet të kërkojë ndarjen e Kosovës

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, tha të martën se Serbia duhet të kërkojë ndarjen e Kosovës, ndërsa hodhi idenë që Beogradi të bisedojë me Tiranën dhe jo me Prishtinën,

Ai i bëri këto komente në një tryezë diskutimesh në kuadër të dialogut të brendshëm serb për çështjen e Kosovës të cilin e ka hapur presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

“Ndarja afatgjate dhe e fortë ndërmjet shqiptarëve he Serbëve duhet të ndodhë në Kosovë”, tha ai.

Ministri serb, nuk sqaroi se si do të mund të dukej ndarja e Kosovës, por idetë e tilla zakonisht kanë përfshirë veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku vazhdon kundërshtimi i shtrirjes së sovranitetit të Prishtinës.

Ideja e tillë ishte hedhur edhe më herët nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, por i cili kishte theksuar se kjo nuk është politikë e qeverisë së tij.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka theksuar disa herë se duhet të gjindet një zgjidhje për Kosovën, e cila nuk do të ishte e kënaqshme për asnjërën palë, por pa saktësuar se për çfarë zgjidhje behët fjalë. Ai hapi verën e kaluar një proces të dialogut të brendshëm për këtë çështje në Serbi e cila aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por kusht themelor është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Më ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia ishin marrë vesh për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që parasheh më shumë autonomi për veriun. Marrëveshja kishte nxitur shumë kundërshtime në Kosovë.

Beogradi vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që është shpallur dhjetë vjet më parë, më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Zyrtare – BE-ja nuk i kërkon Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës

Strategjia e Bashkimit Evropian, që pritet të publikohet sot i referohet në shumë raste Kosovës dhe Serbisë. Aty kërkohet normalizimi i raporteve ndërmjet dy vendeve në mënyrë që ato të ecin në rrugën drejt integrimit në BE. Sido që të jetë, BE-ja Serbisë ia kërkon një marrëveshje juridikisht detyruese, që nënkupton se Serbia si anëtare e Unionit nuk do ta bllokonte anëtarësimin eventual të Kosovës, por jo edhe njohjen e pavarësisë

Në dokument theksohet se pa një normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë në rajon. “Një marrëveshje gjithëpërfshirëse juridikisht e detyrueshme është urgjente në mënyrë që Serbia dhe Kosova të mund të avancojnë në rrugët respektive evropiane”, thuhet në dokument, shkruan express. “Kosova do të përfitojë në mënyrë të konsiderueshme nga një marrëveshje përfundimtare me Serbinë”, theksohet në dokument.

Bashkimi Evropian në këtë strategji thekson se do t’i zgjerojë edhe më tej iniciativat e pajtimit. “Do të ketë vazhdim të mbështetjes ndaj Mekanizmave Ndërkombëtarë të Tribunaleve kriminale dhe për Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në strategji. Ndërkohë që në dokument mbetet e komplikuar rruga e integrimit të Kosovës, duke thënë se ajo ka mundësi për një përparim të qëndrueshëm nëpërmjet implementimit të MSA-së, duke ecur në rrugën e integrimeve sapo këtë ta mundësojnë rrethanat objektive.

Presidenti grek kërcënon Shqipërinë nga një bazë ushtarake: Mos guxoni të flisni për çështjen çame

ARISTIR LUMEZI/ Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos, ka kërcënuar Shqipërinë me anëtarësimin në BE nëse diskutohet çështja çame. Gjatë një takimi me ushtarakë të bazës ajrore luftarake në qytetin e Larisës, kreu i shtetit tha prerë se çështja çame nuk ekziston. Ai e cilësoi të papranueshëm qëndrimin e qeverisë shqiptare për këtë çështje, raporton “Panorama”.

“Është e papranueshme që udhëheqja e Shqipërisë në këto momente të ngrejë çështjen çame. Përveç faktit se kjo çështje nuk ekziston, është më mirë që Shqipëria të mos kujtojë se çfarë do të thotë historia e të ashtuquajturave çamë gjatë periudhës së mizorive naziste në Greqi, nëse dëshiron të ketë ndonjë perspektivë europiane”, tha Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos.

Pa e fshehur gjuhën e ashpër, me të cilën po artikulonte kërcënimet për perspektivën europiane të Shqipërisë, Pavlopoulos tha se historia e çamëve në Greqi është më mirë të harrohet sesa të risillet në aktualitetin politik. “Më vjen keq që jam kaq i ashpër, por në ditë të tilla si kujtimi i holokaustit, ata guxojnë të flasin për çamët. Më mirë të mos kujtojmë historinë e atyre që u shfaqën si çamë në hapësirën greke”, ka deklaruar Pavlopoulos.

MINORITETET

Presidenti grek Prokopis Pavlopoulos i kërkoi pak ditë më parë Shqipërisë të respektojë të drejtat e minoritetit grek. “Mbështesim perspektivën europiane të Shqipërisë mike. Megjithatë, kjo perspektivë varet nga respektimi i plotë i së Drejtës Ndërkombëtare dhe asaj Europiane, në veçanti nga respektimi i të drejtave themelore të njeriut dhe sidomos nga të drejtat e pakicave dhe e drejta për pronën”, tha Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos.

Por shqetësimi i tij ndaj minoritetit grek dhe pronave të tyre në Shqipëri ka qenë në qendër të çdo deklarate të tij. Edhe gjatë vizitës së Presidentit francez në Athinë, Pavlopoulos ka akuzuar Shqipërinë se po i shkel minoritetit grek të drejtën e pronës.

“Kjo po ndodh edhe me Shqipërinë fqinje. Edhe ajo duhet të gjejë vendin e saj në BE, por me respekt të plotë te të drejtat europiane. Dhe një prej shtyllave të të drejtave europiane janë të drejtat e njeriut. Kur shikojmë shkelje të tilla të të drejtave themelore, siç është përshembull e drejta e pronësisë, si është e mundur që Greqia të favorizojë një perspektivë të tillë europiane, të një shteti që shkel të drejtat europiane?!”, është shprehur presidenti grek.

PANORAMA


Send this to a friend