VOAL

VOAL

Merkel: Interesi i Evropës është një Ballkan Perëndimor i sigurt

“Me qëllim të paqes dhe sigurisë për të gjithë ne, është e një rëndësie të kemi një Ballkan Perëndimor i cili zhvillohet mirë ekonomikisht”, tha Merkel, pjesëmarrëse në samitin BE-Ballkani Perëndimor

SOFJE – Me qëllim të paqes dhe sigurisë për të gjithë, Ballkani Perëndimor duhet të jetë i sigurt, deklaroi të enjten në Sofje kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Merkel theksoi se kjo është në interesin e Evropës. “Me qëllim të paqes dhe sigurisë për të gjithë ne, është e një rëndësie të kemi një Ballkan Perëndimor i cili zhvillohet mirë ekonomikisht”, tha Merkel, pjesëmarrëse në samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në kryeqytetin bullgar.

Ajo lavdëroi nikoqirin e Samitit, kryeministrin bullgar, Bojko Borisov, për siç tha, “organizimin e shkëlqyer të eventit”. “Pjesa më e madhe e Ballkanit Perëndimor garanton paqe dhe siguri për të gjithë ne, ndërsa Bojko Borisov ka investuar shumë mund në këtë çështje”, tha ajo.

Për marrëveshjen bërthamore me Iranin, Merkel tha se i gjithë Bashkimi Evropian është i mendimit se marrëveshja në fjalë nuk është e përkryer, megjithatë duhet të mirëmbahet, dhe të vazhdojnë negociatat me Iranin.

Kryeministri Borisov, u tha gazetarëve se ardhja në Sofje e përfaqësuesve të lartë të Unionit dhe liderëve të shteteve anëtare të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor është një shenjë shumë e mirë.

Borisov priti në Sofje kancelaren Merkel, si dhe kryeministren britanike, Theresa May dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, të cilët në Pallatin Kombëtar të Kulturës ku u mbajt Samiti, erdhën bashkë.

Macron u tha gazetarëve se personalisht angazhohet për një dijalog të përforcuar me Ballkanin Perëndimor dhe një perspektive evropiane të atyre shteteve, por se me një kujdes të madh duhet ti qasemi secilit zgjërim, para zbatimit të reformave në BE për funksionim më të mirë të Unionit.

Gazetarëve iu drejtua edhe kryeministrja britanike May, e cila tha se përkundër Brexitit, Londra mbetet e përkushtuar për një lidhje me shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se në korrik do të mbahet një takim i liderëve të shteteve nga Procesi i Berlinit, në lidhje me sigurinë. “Për ne, stabiliteti dhe siguria e Ballkanit është një temë shumë e rëndësishme”, nënvizoi ajo.

Në samit, përveç krerëve të shteteve dhe qeverive të shteteve anëtare dhe zyrtarëve të lartë të BE-së, gjithashtu marrin pjesë udhëheqës nga Ballkani Perëndimor. Udhëheqësit e Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës marrin pjesë në Samit. Nikoqir i takimit është kryeministri bullgar Bojko Borisov, ndërsa me takimin do të kryesojë presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk. Ai përfaqëson BE-në, si dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Po ashtu, në samit marrin pjesë edhe presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, eurokomisioneri për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johannes Hahn si dhe përfaqësues të Bankës Botërore.

Vuçiçi konfirmon: Kam marrë një plan të Perëndimit për Kosovën

SOFJE– Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka konfirmuar në Sofje, në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, sot pasdite se e ka pranuar një plan të përgatitur nga Perëndimi si propozim për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

‘B92’ raporton se kjo është hera e parë që Vuçiçi e ka thënë këtë publikisht – pas disa ditësh spekulimesh në media se Perëndimi “po e kërcënon dhe po e shantazhon atë dhe Serbinë”.

“Askush nuk po e kërcënon Serbinë e as mua. Ka pasur presion ndaj Serbisë për pesë vite tani sepse Perëndimi po e dëshiron pavarësinë e Kosovës. Ne nuk e duam. A na obligon kjo? Jo. A është pozita jonë e lehtë? Jo. Nëse do të pranoja diçka që do t’i përshtatej opinionit serb, do të dilja para popullit, por kam pranuar vetëm shenja”, tha Vuçiç, shkruan lajmi.net.

“Ne e kemi një plan të caktuar, por nuk jam i kënaqur me detaje të caktuara. Jemi në kërkim të një zgjidhjeje kompromisi që kërkon marrjen në konsideratë të interesave të serbëve në Kosovë, por edhe të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar ai.

Vuçiçi: Serbët e dinë se zgjidhja e çështjes së Kosovës do të jetë shumë e dhimbshme

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një intervistë për AFP thotë se çështja e Kosovës është pengesa kryesore e pranimit të Serbisë në BE. Ai tha se populli serb është i vetëdijshëm se zgjidhja e kësaj çështjeje do të jetë shumë e dhimbshme. Agjencia franceze e lajmeve (AFP), shkruan se BE-ja, e cila të enjten në Sofje organizon një samit për Ballkanin, është e ndarë lidhur me pavarësinë e Kosovës, sepse pesë anëtarë të saj nuk e kanë njohur ende. Megjithatë, BE kërkon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat duan të bëhen anëtarë të BE.

Tema e pavarësisë së Kosovës edhe dhjetë vjet pas shpalljes është tabu politike në Serbi, e cila e ka përfshirë edhe në kushtetutën e saj. “I vetmi problem i madh, të cilin unë e konsideroj një pengesë reale për rrugën tonë evropiane, është çështja e Kosovës. Në fund, e gjitha varet nga Kosova”, ka thënë Vuçiç në intervistë për AFP, përcjell Telegrafi. Agjencia shkruan se çështja e Kosovës e zbeh politikën e Evropës ndaj Rusisë, aleates tradicionale të Serbisë, sepse, siç thotë Vuçiç “në rastin më të mirë, kjo (hyrja në BE) është për shtatë vjet, e situata ndërkombëtare do të jetë krejtësisht ndryshe”.
“Në qoftë se më pyesni nëse BE-ja i entuziazmon serbët, përgjigja është: jo. Por, është një popull racional, se çfarë është rruga më e mirë për serbët dhe Serbinë, dhe është i vetëdijshëm se çështja (e Kosovës) duhet të zgjidhet në një mënyrë shumë të dhimbshme”, tha Vuçiç.

Vuçiç thotë se edhe pse gjatë vitit të ka rënë përkrahja për anëtarësim në BE, një pjesë e madhe e popullatës mbështet hyrjen në BE. Vuçiç theksoi nevojën për kompromis, me të cilin të dyja palët do të ishin nga pak të pakënaqur, “në vend të një situate, ku njëra palë merr gjithçka, e tjetra poshtërohet”. Sipas Vuçiçit, vetëm kur të formohet Asociacioni i Komunave Serbe mund të flitet për zgjidhjet e mundshme për të ardhmen. “Për njohjen e Kosovës ende nuk është diskutuar dhe Serbia nuk dëshiron një zgjidhje të tillë”. AFP shkruan se zgjidhja përfundimtare do të kërkonte ndryshim në Kushtetutën e Serbisë, e që duhet të konfirmohet përmes një referendumi.

“Në rast të një rezultati negativ të referendumit, atëherë kjo do çonte në një konfliktit të ngrirë për disa dekada dhe të gjithë do të donin ta braktisnin Serbinë”, tha Vuçiç. Ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç ka folur disa herë për shkëmbimin e mundshëm të territoreve . AFP thotë se Vuçiç kurrë nuk e ka marrë në konsideratë publikisht këtë ide, sepse zyrtarët dhe ekspertët perëndimorë një gjë të tillë e konsiderojnë destabilizuese. “Unë dëgjoj çfarë thonë ata në Perëndim (…) se kjo do të hapte kutinë e Pandorës. Por, kutia e Pandorës u hap dhjetë vjet më parë, kur vendet perëndimore e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiç. Sipas tij, “serbëve duhet t’u ofrohet diçka që do t’u tregonte se janë të respektuar dhe se 30 vjet pas luftërave nuk do të paguajnë për atë që ka ndodhur në ish-Jugosllavi”.

Vuçiç: Nuk frikësohem nga sanksionet e Perëndimit

Vuçiç tha se nuk ka parë kurrfarë dokumenti nga takimi i fundit i vendeve të Quintit në Washington, porse kjo nuk mund të jetë ndonjë befasi pasi të gjitha vendet e Quintit e kanë njohur pavarësinë e Kosovës

BEOGRAD – Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sot deklaroi se nuk frikësohet nga sanksionet e Perëndimit në procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

Ai tha se nuk ka parë kurrfarë dokumenti nga takimi i fundit i vendeve të Quintit në Washington, porse kjo nuk mund të jetë ndonjë befasi pasi të gjitha vendet e Quintit e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Nuk do të ketë sanksione, kjo është gjithçka mund t’ju them. Nuk kam parë asnjë dokument të Washingtonit. Kam dëgjuar për atë çfarë disa ofrojnë si parime të tyre. Diçka më është kumtuar në mënyrë gjysmëzyrtare”, u tha Vuçiç gazetarëve në Beograd.

Vuçiç tha se Serbia është vet përgjegjëse për situatën momentale dhe rrethanat e këqija në të cilat zgjidhet çështja e Kosovës, duke pasur parasysh disa hapa me të cilat ajo vetë “vuri vulën në zarfin e pavarësisë së Kosovës”.

“Kanë ndodhur gjëra të tmerrshme për të cilat pjesërisht përgjegjës jemi ne, veçmas për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, falë politikave të krisura dhe të papërgjegjshme të disa individëve. E tani luftojmë që nga gremina ta nxjerrim vendin dhe të arrijmë sa më shumë për shtetin dhe qytetarët tanë. Do ta vazhdojmë këtë betejë”, tha Vuçiç.

Vuçiç më pas deklaroi se serbët dhe kroatët janë popuj të vegjël dhe se vetëm të bashkuar mund të mbijetojnë, ndonëse për shumë kroatë kjo është e vështirë ta dëgjojnë, ndërsa për disa serbë akoma më shumë. aa

Gjuriç i gatshëm t’u kundërpërgjigjet vendimeve të SHBA-së për Kosovën

BEOGRAD– Mediat serbe ditëve të fundit kanë raportuar se në Uashington janë zhvilluar konsultime nga vendet e Quintit në lidhje me zgjidhjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriç, tha se i ka parë nëpër gazeta këto raportime, por që sipas tij, Serbia nuk duhet të shqetësohet.

“Ne nuk duhet të shqetësohemi, të gjitha këto vende besojnë se Kosova është shtet i pavarur, dhe po synojnë të krijojnë kushte që ta detyrojnë Serbinë të bëjë lëshime për temën e Kosovës”, tha Gjuriç.

Ai deklaroi se shteti serb nuk do të pranojë asnjëherë vendime të njëanshme.

“Ne do të flasim vetëm për kompromis, kurrë nuk do të pranojmë vendime të njëanshme”, tha Gjuriç në RTS.

Gjithashtu Marko Gjuriç komentoi edhe emërimin e prokurorit të ri të Speciales.

Ai tha se Serbia është e gatshme të bashkëpunojë me këtë gjykatë në mënyrë që të dënohen “krimet e luftës”.

Jovanoviç: Beogradi do veriun e Kosovës në shkëmbim të njohjes së pavarësisë

Në Prishtinë, politikani serb, Çedomir Jovanoviç, tha sot se Serbia dhe Kosova duhet të zgjidhin së bashku mosmarrëveshjet, por nëvizoi se njohja e ndërsjellë do të jetë e vështirë, për shkak të gjendjes në Serbi.

Në një debat të organizuar në Prishtinë, zoti Jovanoviç tha se zyrtarët në Prishtinë e kanë bërë të ditur se nga bisedimet dëshirojnë të sigurojnë njohjen, ndërsa Serbia po e shpreh nëpërmjet metaforash synimin për ndarjen e Kosovës.

Kush është gazetarja që i mbijetoi dy atentateve dhe pse hoqi dorë nga mbrojtja e policisë

Gazetarja malazeze Olivera Lakiç, të cilës i bënë pritë mbrëmjen e kaluar, ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Por kjo nuk është hera e parë që Lakiç i mbijeton një sulmi të tillë të frikshëm. Para gjashtë vitesh, ndaj saj është organizuar një tjetër sulm, pikërisht për shkak të profesionit si gazetare investigative.

49-vjeçarja në atë kohë u godit disa herë në kokë me mjete të forta, por si për mrekulli ajo shpëtoi ashtu si edhe këtë radhë kur u qëllua me plumb në këmbën e djathtë.

Redaktori i saj është shprehur për mediat se kishte mbetur pa fjalë kur ka dëgjuar lajmin për pritën që i ishte bërë gazetares.

“Jam pa fjalë. Deri kur do vazhdojë t’i ndodhë kjo gjë Malit të Zi?”, tha Mihajlo Jovović. Redaktori i të përditshmes “Vijesti” tha gjithashtu se policia nuk i kishte hetuar kurrë asnjë nga krimet për të cilat raportonte Lakiç, pasi ajo shkruante për krimin dhe korrupsionin në Mal të Zi.

“Asnjë nga sulmet ndaj saj nuk është zgjidhur deri më tani. Shumica e historive për të cilat ajo raporton, bëjnë fjalë për krime të cilat nuk janë hetuar kurrë.”, tha Jovoviç.

Ndërkohë për sulmin e djeshëm, shefi i policisë Vesko Damjanoviç tha në një konferencë për mediat, se Olivera Lakic ka plagë plumbash në këmbën e saj të djathtë, por jeta e saj nuk është në rrezik. Po ashtu

Damjanoviç tha se policia do të “bëjë çmos për të zbuluar autorët dhe për t’i sjellë ata para drejtësisë”, por duket se për të zbuluar autorët e atentatit ndaj gazetares, duhen hetuar krimet për të cilat ajo raporton.

Sulmi ndaj gazetares malazeze, është sulmi i dytë që ka ndodhur brenda një muaji në Mal të Zi. Sulmi tjetër ka ndodhur ndaj një gazetari të shquar në qytetin verior të Bijelo Polje-s, kur një bombë shpërtheu pranë shtëpisë së tij.

Për këtë arsye kjo ngjarje ka shkaktuar shqetësim të madh në Europë, pasi për këtë ka reaguar edhe ambasadori i BE-së në Podgoricë.

“Sulmi ndaj gazetarit Olivera Lakiç është shumë shqetësues. Gazetarët duhet të mbrohen,” shkroi ambasadori Aivo Orav. Ky koment i ambasadorit të BE-së ka nxitur reagim të madh në vend, pasi Mali i Zi aspiron të bashkohet me BE-në deri në vitin 2025.

Po ashtu edhe Ambasada e SHBA në Podgoricë shprehu shqetësim rreth sulmit.

“Gazetarët janë kujdestarë të demokracisë dhe duhet të mbrohen në mënyrë që ata të mund të bëjnë punën e tyre në siguri të plotë”, ishte shqetësimi i ngritur nga Ambasada Amerikane.

Një duzinë sulmesh kanë ndodhur kundër gazetarëve në 15 vitet e fundit, përfshirë edhe vrasjen e redaktorit Dushko Jovanoviç në vitin 2004 në Mal të zi, por shumica prej tyre kanë mbetur të pazgjidhura.

 

PSE HOQI DORË NGA NDIHMA E POLICISË

Por kjo nuk është e gjitha. Vetë Lakiç nuk kishte besim te policia, e cila ishte angazhuar ta mbronte në vitin 2012, pas sulmit që i ndodhi përpara shtëpisë së saj.

Ajo hoqi dorë nga mbrojtja e policisë, pasi sipas saj ata e kanë diskredituar atë si gazetare dhe madje edhe janë munduar ta trembin.

Në një letër të botuar më 5 tetor të 2014-ës, në të përditshmen “Vijesti”, gazetarja shpjegon arsyet e vendimit të saj për të hequr dorë nga mbrojtja.

Fillimisht Lakiç tregon se kishte bërë kërkesë në Ministrinë e Brendshme dhe në polici, për t’u informuar për aktivitetet që kishin kryer eskortat e saj, por ky informacion iu refuzua t’i jepej.

“Unë kam kërkuar një mijë herë për një shpjegim se pse ata (policët) më mbajnë nën vëzhgim, derisa do të zgjasë kjo gjë dhe në cilën pikë janë hetimet që, ata thonë se po udhëheqin. Ministri i Brendshëm më tha në dhjetor të vitit të kaluar se Agjencia e Sigurisë Shtetërore ka përgatitur dhe dorëzuar një analizë mbi gjendjen e situatës. Ata do të më bënin të ditur për pak ditë nëse jam ende e kërcënuar ose jo, por kurrë nuk e dërguan atë përgjigje”, vazhdon më tej Lakiç, e cila thotë se nga ky moment ka vendosur që për sigurinë e jetës së saj t’i besojë vetëm vetes dhe familjes.

“Ata kanë punuar për diskreditimin tim si një qenie njerëzore dhe si gazetare, kanë penguar hetimet dhe janë përpjekur të më trembin më tej. Në këto mjedise, unë jam quajtur si një armik i shtetit, një gazetare e manipuluar që punon për interesat e të tjerëve dhe jo në interes të profesionit të saj. Asnjëri prej tyre ende nuk ka pasur guximin ta thotë atë në publik dhe të argumentojë dëmin që më kanë bërë mua si grua dhe si gazetare”, ka deklaruar Lakiç, e cila tha se shoqërimi i policisë nuk i ka siguruar lirinë por e ka robëruar atë, duke mos e lejuar të kryente punën si gazetare./Hashtag.al

Putin i rreh shpatullat Vuçiç dhe e mbështet ‘për luftë’: Pa Rusinë, nuk ka zgjidhje për Kosovën!

Vladimir Putin përgëzon Aleksandër Vuçiç për besnikëri dhe i premton se pa bindjen e Rusisë nuk do të ketë zgjidhje për problemin e Kosovws

Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin sipas të përditshmes serbe ‘Novosti’, ka përgëzuar në një bisedë joformale, presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç për qëndrim konsekuent në lidhje me Rusinë. Putin i ka premtuar Vuçiç se Moska po i ndjek në mënyrë aktive bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe po survejon ndikimin e faktorëve të tjerë perëndimorë në këto bisedime. Putin mësohet të ketë thënë se pa pajtimin e Rusisë do të jetë e pamundur arritja e zgjidhjes për Kosovën.

Deklaratat e Putin dhe qëndrimet e Aleksandër Vuçiç kanë alarmuar Perëndimin e rrjedhimisht përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë do të diskutojnë sot në Uashington, ndër të tjera, do të flasin sot ecurinë e mëtejshme të dialogut Prishtinë-Beograd. Presidenti serb do të takohet me deputetin gjerman dhe kryetarin e Komisionit për çështjet evropiane në Bundestag, Gunther Krichbaum. Krichbaum njihet për qëndrimet e tij në favor të pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së ndërsjelltë si shtete mes Kosovës dhe Serbisë.

Serbia, marrëdhëniet më të këqija me Kroacinë e Shqipërinë

Marrëdhëniet më të mira me vendet fqinje Serbia i ka me Bosnjë e Hercegovinën e Maqedoninë, ndërsa më të këqijat i ka me Kroacinë e Shqipërinë.

Mali i Zi është në vendin e tretë në mesin e shteteve me të cilat Serbia i ka marrëdhëniet më të mira.

Ky është rezultati i një ankete zhvilluar me qytetarë të Serbisë, njofton FoNet.

Në mesin e shteteve anëtare të BE-së, të anketuarit serbë mendojnë se miqtë më të mëdhenj i kanë Gjermaninë, Greqinë, Spanjën dhe Austrinë ndërsa armiqtë më të mëdhenj për ta janë Kroacia, Britania e Madhe dhe Franca.

Sipas kësaj ankete, gjysma e qytetarëve të Serbisë parimisht e përkrah anëtarësimin në BE, porse, po të mbahej referendumi për hyrjen e Serbisë në Union, për do të votonin 49,5 për qind e qytetarëve. 62 për qind e të pyeturve kanë thënë se Serbia ka dobi nga bashkëpunim i me BE-në.

Serbia anulon ftesat për deputetët e Kosovës

Tre deputetëve nga Kosova që ishin ftuar për të marrë pjesë në konferencën me temën: “Përmes idesë së BE-së drejt paqes dhe zhvillimit”, të paraparë të mbahet me 11-12 maj në Beograd, u janë anuluar ftesat të mërkurën.

Vjosa Osmani, Blerta Deliu dhe Ilir Deda ishin ftuar nga kryetari Këshillit për Integrimet Evropiane në Parlamentin e Serbisë, Nenad Çanak.

Por, kryetarja e parlamentit serb, Maja Gojkoviç anuloi ftesat duke paralajmëruar madje se “është e gatshme të largohet” nga posti nëse ndodh ndryshe.

Deputeti i parlamentit të Kosovës, Ilir Deda, dukë njoftuar për anulimin e ftesave shkroi në rrjetin social facebook se “në ditën e Evropës, del fytyra anti-evropiane e udhëheqësisë së Serbisë. Veprimet e tilla janë në kundërshtim me deklarimet për ‘normalizim’ të raporteve me Kosovën, dhe për ‘përkushtimin’ ndaj rrugëtimit evropian të Ballkanit Perëndimor”, shkroi ai.

Deputetja, Vjosa Osmani, këtë veprim e ka cilësuar si tregues të qartë të vlerave anti evropiane të Serbisë.

“Edhe pse ka hapur shumicën e kapitujve për anëtarësim në BE, Serbia tregon se mbetet një shtet me vlera antievropiane dhe se gjithë të arriturat e saj drejt rrugës integruese i ka fituar përmes temave të Kosovës, dhe jo për shkak të meritave dhe përmbushjes së standardeve. Veprime të tilla të Serbisë nuk i kontribuojnë paqes e as normalizimit të raporteve, e aq më pak rrugës evropiane të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në një komunikatë të zonjës Osmani.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, të shpallur dhjetë vjet më parë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por, është përfshirë në një proces bisedimesh me Kosovën që i kanë mundësuar asaj negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova deri më tani ka përfituar marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian, por mbetet e fundit në proceset integruese në rajon.

Kryetari Këshillit për Integrimet Evropiane në Parlamentin e Serbisë, Nenad Çanak, u ka thënë medieve serbe se ftesat janë anuluar “për shkak të pyetjes së kriminelit të dënuar të luftës Vojislav Sheshel, pyetje të cilën as që kishte të drejtë ta bënte në parlamentin e Serbisë, sepse ligjërisht ai nuk është as deputet”.

Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara për krime lufte e dënuan më 11 prill të këtij viti ultranacionalistin serb Vojislav Sheshel, duke përmbysur një vendim të dy vjetëve më parë që e kishte liruar atë nga akuzat për përndjekje, deportim dhe veprime jonjerëzore.

Erdogani kritikon ashpër një grup personalitetesh franceze

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan reagoi me zemërim ndaj një grupi prej rreth 300 personalitetesh franceze, të cilët u kanë kërkuar myslimanëve të shquar të denoncojnë referencat anti-hebraike dhe anti-krishtere në Kuran.

Duke folur të martën në një takim të partisë në pushtet, zoti Erdogan i quajti “të neveritshme” personalitetet franceze në fjalë, ku bëjnë pjesë aktori Gerard Depardieu, këngëtari Charles Aznavour dhe ish-presidenti Nicolas Sarkozy, duke i akuzuar se kanë sulmuar shkrimet e konsideruara të shenjta nga myslimanët.

Deklarata e francezëve u bënte thirrje myslimanëve të denoncojnë disa referenca, në mënyrë që “besimtarët, – sipas tyre, – të mos i referohen një teksti të shenjtë për të kryer një krim”.

Presidenti Erdogan la të kuptohet se libra të tjerë të shenjtë kanë referenca të debatueshme. Nëse ata e kanë lexuar Biblën, tha ai, “ndoshta do të kërkonin që ajo të ndalohej”.

Vuçiçi pritet me ceremoni zyrtare nga Erdogani

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u prit me ceremoni zyrtare në Kompleksin Presidencial në Ankara nga homologu turk Recep Tayyip Erdoğan

ANKARA – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, priti me ceremoni zyrtare homologun e tij nga Serbia, Aleksandër Vuçiç, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Turqi.

Erdoğan priti presidentin serb Vuçiç në hyrje të Kompleksit Presidencial në Ankara, ndërsa ceremonia vijoi me intonimin e himneve të të dy vendeve.

Vuçiç përshëndeti gardën e nderit kurse pas prezantimit të delegacioneve, dy presidentët pozuan para flamurit të Turqisë dhe Serbisë.

Erdoğan dhe Vuçiç, të cilët kaluan në takimin kokë më kokë, më pas do të marrin pjesë në Seancën e Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit.

Pas ceremonisë së firmosjes së marrëveshjeve, dy presidentët pritet të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp, ndërsa do të vijojë edhe një darkë zyrtare e shtruar nga Erdoğan në nder të homologut serb.

Në ceremoninë e pritjes morën pjesë edhe zyrtarë të lartë shtetërorë të Turqisë, përfshirë zëvendëskryeministrin Fikri Işık, ministra të shumtë, si ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu si dhe zëdhënësin presidencial Ibrahim Kalın.

Vuçiçi vizitë në Parlamentin e Turqisë

Vuçiçi tha se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Serbisë janë në nivel shumë të mirë, duke theksuar se këto marrëdhënie do t’i avancojnë edhe më tej

ANKARA – Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, vizitoi Parlamentin e Turqisë, ku u takua me kryeparlamentarin Ismail Kahraman.

Në fjalën e tij gjatë takimit, Kahraman u shpreh i gëzuar nga vizita e presidentin serb dhe delegacionit shoqërues.

“Në mes nesh ka një miqësi të vërtetë. Ju dhe presidenti Recep Tayyip Erdoğan mbyllët distancën gjeografike në mes dhe sollët një tërësi shpirtërore”, tha Kahraman.

Ndërkaq, presidenti serb Vuçiç tha se kanë forcuar miqësinë mes dy vendeve me kontributet e holomogut të tij turk Erdoğan.

“Tanimë nuk ka prishje urash, por ndërtojmë ura. Miqësia që ai ndërtoi me vizionin e tij në Ballkan dhe rajonin tonë do të ekzistojë dhe do të mbetet e përhershme”, tha Vuçiç.

Ai tha se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Serbisë janë në nivel shumë të mirë, duke theksuar se këto marrëdhënie do t’i avancojnë edhe më tej dhe se fushat e bashkëpunimit mes dy vendeve janë të shumta.

Presidenti serb u shpreh se duhet të veprojnë në mënyrë të shpejtë, efektive dhe të fuqishme në çdo fushë, përfshirë politikën, ekonominë dhe kulturën.

“Ne kemi shumë fusha bashkëpunimi dhe kapacitete”, shtoi Vuçiç.

Pas takimit, i shoqëruar nga kryeparlamentari turk Kahraman, Vuçiç vendosi lule në pjesën e dëmtuar të Parlamentit gjatë tentativës së FETO-s për grusht shteti më 15 korrik të vitit 2016.

Po ashtu, Kahraman e informoi Vuçiçin në lidhje me ndodhitë në parlament.

Vuçiç dhe Kahraman më pas kaluan në një drekë pune të shturar në nder të presidentit serb.

Gjatë vizitës në parlament, Vuçiç u shoqërua edhe nga zëvendëskryeministri i Turqisë, Fikri Işık. aa

Vuçiçi: Njohjen e Kosovës po ma kërkon e gjithë bota, por nuk jam gati

Zgjidhjen e çështjes së Kosovës, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç nuk e sheh aspak të lehtë. Sipas tij, zgjidhja e këtij problemi nuk do të jetë aspak i kënaqshëm për Serbinë. Gjatë një interviste për ‘Kurir’, Vuçiç ka thënë se të gjithë serbët do të jenë të pakënaqur duke e quajtur këtë situatë të tmerrshme pasi po merr ofertë pothuajse nga e gjithë bota për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

“Ne nuk e kontrollojmë më territorin e Kosovës, tanimë duhet ta kuptojmë këtë gjë. Deri këtu kemi ardhur si rezultat i politikës sonë të keqe në 2004 dhe 2008. Kujtojmë se në vitin 1999 u mposhtëm nga fuqitë më të mëdha botërore”, ka deklaruar presidenti serb.

Ai ka shtuar se tani Serbia ka një politikë racionale dhe se personalisht mbron politikën e pavarur të Serbisë, raporton express. Sa i përket ulëses së Kosovës në OKB, Vuçiç ka thënë se nuk dëshiron ta komentojë këtë çështje pasi do të pres të shoh se çfarë posedon plotësisht ‘marrëveshja historike’.
“Unë gjithmonë flas për paqen dhe stabilitetin në vend dhe rajon. Kur është fjala për Kosovën shpresoj në gjetjen e një zgjidhje. Pavarësisht nga zgjidhja është fundi im në politikë”

I pyetur pse mendon se është fundi, Vuçiç ka thënë se serbët janë të tillë dhe nuk do të falin të ardhmen dhe paqen e tyre. “Jam i sigurt se nuk do të ketë kurrfarë kuptimi vendimi për Kosovën. Por nëse mendoni se nesër unë mund të them ‘Kosova është e pavarur’, unë nuk jam gati”, – është shprehur Vuçiç.

Daçiçi nuk ka të ndalur, vazhdon lobimin kundër njohjeve të Kosovës

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka vazhduar fushatën e tij diplomatike kundër njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës. Gjatë ditës së sotme ai është takuar edhe me kryeministrin e shtetit të Nepalit, Sharm Oli, të cilin e ka falënderuar dhe vlerësuar për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Me këtë rast, Daçiç e ka informuar kryeministrin e Nepalit edhe për siç e quan ai rëndësinë e Kosovës për shtetin serb, si dhe situatën aktuale në vend. Madje Daçiç u shpreh optimist se raporte të tilla mes Serbisë dhe Nepalit do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke cilësuar se Nepali e ka respektuar gjithmonë integritetin territorial të Serbisë, transmeton lajmi.net.

Kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, po bën vazhdimisht fushatë kundër njohjeve të reja për Kosovën si dhe uljen e numrit të shteteve të cilat e kanë bërë një gjë të tillë.
Ai më herët kishte paralajmëruar se numri i shteteve të cilat njohin pavarësinë e Kosovës, do të bije nën 100. E për këto deklarata dhe veprime të tij, ai ishte kritikuar fuqishëm nga diplomatë të huaj të cilët veprimet e tij i kishin quajtur “irrituese”.

Sondazhi në Athinë – Grekët i konsiderojnë armiq shqiptarët, renditen të dytët pas Turqisë

ATHINË – Opinioni publik grek shfaqet intensivisht i trazuar dhe me mëdyshje për sa i përket zhvillimeve të fundit në lidhje me Turqinë, të cilën e e konsideron një fqinj armik, por një pjesë e konsiderueshme e tij shfaq thuajse të njëjtin mendim edhe për fqinjët e tjerë të Greqisë.

Në një sondazh të publikuar nga gazeta “Ethnos” e së dielës, 87% e grekëve cilësojnë Turqinë armikun numrin 1 të vendit dhe 63% shprehin frikën për mundësinë e një incidenti të “nxehtë” mes dy shteteve.

Të pyetur nëse konsiderojnë shtet armik dikë prej fqinjëve, përveç Turqisë për të cilën thonë “po” shumica dërrmuese, pozitivisht i janë përgjigjur pyetjes për Shqipërinë, 47% e të intervistuarve dhe 45% për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ndërsa një pakicë e vogël prej 10% ndan të njëjtin mendim për Bullgarinë.

Ndaj pyetjes se sa gjasa ka të kërcënohet integriteti territorial nga fqinjët, për Shqipërinë janë përgjigjur “po” vetëm 27% dhe 63% “jo”. Në të njëjtat përqindje thuajse janë përgjigjet edhe për ish-Republikën Jugosllave, ndërsa kur vjen fjala për Turqinë 78% e grekeve ndjehen të kërcënuar nga fqinji lindor.

Sipas sondazhit nëse këto vende do të integrohen në BE, 56% e grekëve beson se do përmirësohet qëndrimi i Shqipërisë ndaj Greqisë dhe po ashtu edhe i Maqedonisë, ndërsa për Turqinë më shumë se 64% mendojnë se kjo nuk do të ndodhë.

Gjithashtu shtatë ndër dhjetë grekë mendojnë se diplomacia duhet të jetë mjeti kryesor i ushtrimit të politikës së jashtme, ndërkohë që 82% vleresojnë se bashkëpunimi mes vendeve ballkanike do të përmirësojë nivelin e jetesës në rajon./TCH.

Policia serbe nuk e lejon Sheshelin të mbajë një tubim

Policia serbe ka bllokuar të gjitha rrugët që çojnë në një fshat në veriperëndim të Beogradit, për të parandaluar liderin ultranacionalist, që të mbajë një tubim atje.

Vojsllav Sheshel ka planifikuar që të mbajë një tubim në fshatin Hrtkovvi, për të shënuar 26-vjetorin e mbajtjes së një fjalimi të tij atje, të cilin, gjykatësit e Kombeve të Bashkuara për krime lufte, e kanë cilësuar si krim kundër njerëzimit për shkak se “ka nxitur dëbim dhe persekutim”.

Një protestues nga një grup rival është lënduar lehtë pas një konfrontimi me mbështetësit e Sheshelit, përpara se policia të ndalonte përshkallëzimin e mëtejmë të situatës, transmeton Reuters.

Policia serbe ndaloi që tubimi të mbahej në fshatin Hrtkovci, për shkak se minoriteti kroat që jeton aty, ndihej i kërcënuar.

Shumica e popullsisë kroate që ka jetuar në këtë fshat është shpërngulur nga aty në konfliktin e viteve të 90-ta.

“Ne duam të mbajmë një tubim paqësor dhe regjimi na e ndaloi këtë pa na dhënë shpjegim”, u tha gazetarëve Sheshel.

Teksa Sheshel po largohej, mbështetësit e Partisë Liberale Demokratike, mbajtën në duar parulla ku shkruej “Shesheli është kriminel lufte”. Kjo nxiti konfrontim në mes të protestuesve.

180 kriminelë shqiptarë në kërkim nga Greqia – i strehon Shqipëria

Më shumë se 180 kriminelë shqiptarë që kërkohen për krime të rënda në Greqi, po strehohen në Shqipëri.

Kështu shkruan e përditshmja greke “Kathimerini”, duke iu referuar burimeve policore.

Sipas kësaj gazete, bëhet fjalë për krime të kryera gjatë 18 viteve të fundit.

Konkretisht, autoritetet greke kanë lëshuar 184 urdhër-arreste për qytetarë shqiptarë të akuzuar për vepra të ndryshme penale që prej vitit 2000.

Asnjë prej tyre nuk është kapur.

Sipas policisë greke, shqiptarët e kërkuar për krime në Greqi janë arratisur dhe fshihen në Shqipëri.

Gjatë këtij viti janë lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare për 14 shqiptarë, ndërsa në vitin 2017 u lëshuan 21 mandate kërkimi dhe 26 për vitin 2016.

Zyrtarë të lartë të Policisë Greke kanë thënë për Kathimerini se asnjë prej shqiptarëve të kërkuar nuk është ekstraduar në Greqi, me pretendimin se hasin në vështirësi nga autoritetet shqiptare.

“Në rastet kur kërkojmë ekstradimin e të dyshuarve, pala shqiptare na kërkon të dërgojmë shkresat të përkthyera në gjuhën shqipe në mënyrë që ata të mos ekstradohen në Greqi por të përballen me gjyqin në Shqipëri”, tha një burim policor për “Kathimerini”.

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç: Daçiç, një këngëtar i dështuar mejhanesh

Kryeministri kroat nuk tallet me Daçiçin: S’merrem me një këngëtar të dështuar mejhanesh

Polemika poshtë brezit kanë shkëmbyer ministri i jashtëm serb, Ivica Daçic dhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç.

Ndërsa Daçiç e cilësoi kreun e qeverisë së Zagrebit një “anemik”, Plenkoviç ju kthye duke e quajtur numrin 2 të qeverisë serbe një “këngëtar të dështuar mejhanesh”.

Debati mes Serbisë dhe Kroacisë vazhdon të bëhet për temën tashmë bajate të kohës së Luftës së Dytë Botërore, ku Beogradi kërkon të gjejë fajësi që të ekuilibrojë akuzat me krimet e tmerrshme serbe gjatë luftës ballkanike që nuk kanë mbushur as 25 vjet.

“Më vjen keq për Plenkoviçin, por nuk mund të këndoj Lili Marleen ose Thompson është gati për atdheun”, tha Daçiç nga India ku po merr pjesë në një tur për të gjetur vende që të refuzojnë njohjen e Kosovës, shkruan Tesheshi.

“Lili Marleen” është një këngë e njohur gjermane që u bë popullore gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi këndohej nga trupat e Boshtit Qendror, ose në shfaqet e dhëna për nder të këtyre trupave.

Plenković tha të mërkurën se Kroacia është një vendi i përgjegjshëm që dëshiron të bashkëpunojë me të gjithë fqinjët dhe hodhi poshtë retorikën negative që artikulohet nga Serbia.

Kryeministri kroat ka veçuar presidentin Vuçiç për të cilin ka theksuar se është “serioz dhe i përgjegjshëm” kurse për Daçiçin tha se “është një këngëtar amator i pasuksesshëm”.

“Ne duam para së gjithash për të hapur një faqe të re të bashkëpunimit me të gjitha vendet fqinje dhe me vendosmëri duhet ta refuzojmë këtë retorikë negative që po vjen nga një ministër i Jashtëm i cili është i njohur vetëm për një gjë në karrierën e tij, se është një këngëtar rock-u i dështuar.

Daçiç, ndërkaq deklaroi se “kryeministri kroat është një politikan anemik që dëshiron të rrisë pikët brenda vendit duke sulmuar Serbinë”.

Daçiç po ashtu ka thënë një herë se “Kroacia më 15 qershor 1941 bashkua me Paktin Trepalësh e Gjermani, Itali dhe Japoni, si dhe i mbetur besnik Hitlerit, pas vetëvrasjes së tij më 30 prill 1945”.

 

Opozita turke përzgjedh kandidaturën presidenciale përballë Erdoganit, ja kush është

Partia Republikane e Popullit (CHP), partia kryesore e opozitës në Turqi, përzgjodhi sot deputetin Muharrem Ince për t’u përballur me kreun e shtetit, Recep Tayyip Erdogan në zgjedhjet e parakohshme presidenciale, që do të zhvillohen më 24 qershor.

“Me ndihmën e Zotit dhe vullnetin e kombit do të zgjidhem president më 24 qershor”, u shpreh Ince gjatë një ceremonie në Ankara.

Orator energjik, Ince është shfaqur vitet e fundit si një prej kritikëve më të zjarrtë të Erdoganit.

Lideri i CHP-së, Kemal Kiliçdaroglu njoftoi muajin e kaluar se nuk do të ishte kandidat në zgjedhjet presidenciale të thirrura nga Erdogan.

”Ne do të shkruajmë historinë”, u shpreh ai përpara se të ftonte Ince në podium.

Gjatë fjalimit të parë si kandidat zyrtar i CHP-së, Ince u zotua për të qënë president i të gjithëve dhe i paanshëm nëse do të fitonte.

Vuçiç: Serbia ka shumë çështje të përbashkëta me Turqinë

Presidenti i Serbisë ka komentuar edhe nismën e Mbretërisë së Bashkuar që seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) mbi Kosovën të mbahet me dyer të mbyllura

BEOGRAD – Serbia ka shumë çështje të përbashkëta me Turqinë, nga politika deri tek ekonomia, por edhe nga fakti se turqit janë turistët më të shumtë, deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në prag të vizitës në Turqi e cila do të realizohet më 7 maj.

“Zakonisht qytetarëve të Serbisë nuk u intereson shumë takimi me ndonjërin nga liderët, sepse dëshirojnë të shohin rezultate. Nga shkaku i Turqisë, ne kemi fabrika nga Vladiçin Han deri në Krupan, ndërsa së shpejti edhe fabrikë në Mali Zvornik me rreth 300 punonjës”, tha Vuçiç në një takim me gazetarët në Presidencën Serbe në Beograd.

Ai tha se marrëveshja për tregti të lirë me Turqinë ka bërë që eksporti i mishit të rritet me 22 ose 23 për qind.

“Kjo hap mundësi të reja për të ardhmen. Kemi shumë çështje të përbashkëta me Turqinë, nga politike tek ato ekonomike, shtuar edhe faktin se turqit janë turistët më të shumtë, numër të cilin dëshirojmë ta rrisim”, tha Vuçiç.

Presidenti i Serbisë ka komentuar edhe nismën e Mbretërisë së Bashkuar që seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) mbi Kosovën të mbahet me dyer të mbyllura.

Vuçiç tha se kjo nuk është vetëm nga britanikët, pasi siç tha, këtë tentojnë ta bëjnë edhe amerikanët, francezët dhe të gjithë ata që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Nga këndvështrimi i tyre, kjo punë ka marrë fund që atëherë, ndërsa pozita jonë nuk është aspak e lehtë, megjithatë, do të vazhdojmë të luftojmë”, tha Vuçiç.

Sipas tij, periudha e ardhshme do të jetë shumë e rëndë për Serbinë dhe popullin e saj, meqë siç tha, presin presione të mëdha nga jashtë, por shtoi se do të përpiqet të gjejë një zgjidhje kompromisi, për çka pret ndihmën e Rusisë, e cila tha se ka ndihmuar Serbinë në dy raste të ndara. aa

Turqi-Greqi tjetër incident: Anija turke përplas anijen luftarake greke me mision të NATO-s

Episod i ri në Egje. Anija tregtare turke “Karmate” është përplasur me anijen luftarake greke “Armatolos”, që kryen mision të NATO-s për refugjatët dhe emigrantët e paligjshëm.

Me deklaratë zyrtare, drejtoria ushtarake e Marinës Greke ka informuar për episodin duke theksuar se pas incidentit, anija turke u largua menjëherë drejt Turqisë, raporton gazetarja jonë në Greqi, Ira Londo.

incidenti 1

Episodi konsiderohet serioz pasi këto ditë u krye vizita zyrtare e kryeministrit Cipras në ishullin Mitilini, afër zonës detare të incidentit.

incidenti 4

incidenti 2

 

Haradinaj: Gjendja e dy udhëtarëve të aksidentuar në Serbi, jashtë rrezikut për jetë

Një autobus me udhëtarë nga Kosova që po qarkullonte nëpër Serbi, është aksidentuar dhe si pasojë, të paktën dy nga udhëtarët kanë marrë lëndime.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se përveç dy udhëtarëve që janë lënduar dhe hospitalizuar, por që nuk janë në rrezik për jetë, udhëtarët tjerë nuk kanë pasur nevojë për trajtim mjekësor.

Në një postim në rrjetin social Facebook, kryeministri Haradinaj ka shkruar se për aksidentin e autobusit që ka ndodh në Serbi, është informuar nga shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Valdet Sadiku.

“Do të vazhdojmë ta përcjellim në çdo moment gjendjen e qytetarëve tanë, por edhe të udhëtarëve tjerë” ka shkruar ai.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar se si pasojë e aksidentit dy shtetas të Republikës së Kosovës mbeten të hospitalizuar në Qendrën Klinike Spitalore në Nish, të cilët kanë pësuar lëndime të rënda të natyrës ortopedike.

“MPJ njofton se të gjithë udhëtarët e tjerë janë liruar nga spitali pas trajtimit të nevojshëm dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Ministria e Punëve të Jashtme do të përcjellë nga afër të gjitha zhvillimet në lidhje me këtë aksident të trafikut dhe do t’ju mbajë të informuar me kohë”, thuhet në njoftim.

Kotzias: “Në fillim të qershorit marrëveshje për detin, çështja çame nuk ekziston”

Në fillim të qershorit mes Shqipërisë dhe Greqisë do të ketë një marrëveshje për çështjen e detit. Televizioni Skai në Greqi thotë se të dyja palët po punojnë fuqishëm për të arritur një marrëveshje deri në fund të majit.

Sipas Skait, nisja e negociatave të hënën u zhvilluan në “një klimë konstruktive bashkëpunimi”, dhe në bazë të kësaj marrëveshje, shteti grek mund të deklarojë Zonë Ekonomike Ekskluzive, gjë që po ndiqet me interes nga Athina.

Kontaktet me Shqipërinë pritet të vazhdojnë në javët e ardhshme, shkruan Skai. Kotzias e ka bërë të qartë që nuk ka “çështje çame” në tavolinë dhe diskutimi i pronës ka të bëjë me “ligjin e famshëm të luftës” me Shqipërinë.

Ministri serb: Do bëjmë kërkime për pasojat e bombardimeve nga NATO

BEOGRAD – Ministri serb i Mjedisit Goran Trivan ka bërë të ditur se në muajt në vazhdim do të formojnë një laborator kombëtar për kërkime shkencore lidhur me pasojat e bombardimeve të NATO-s.

Ai ka shpjeguar se kjo nismë përfshin bashkëpunimin e të gjithë laboratorëve të shtetit të aftë për ta marrë përsipër këtë hetim.

“Nuk do të jetë e mjaftueshme vetëm të jemi të sigurt se çka ka ndodhur në vitin 1999, por duhet t’i tregojmë gjithë botës se në çfarë përfundime kemi arritur. Ne i kemi borxh publikut një shpjegim mbi atë që ka ndodhur, si dhe mbi pasojat e mundshme”, u shpreh ai për median serbe N1.

Si një fakt që janë në rrugën e duhur, ministri serb ka përmendur ushtarët italianë që vuanin nga sëmundje infektuese.

Kur u pyet nëse hetimi do të përfshijë edhe territorin e Kosovës, ai tha se kjo çështje nuk është politike. “Nganjëherë harrohet se hapësira e Kosovës ka qenë viktima më e madhe e këtyre bombardimeve. Në territoret e bombarduara me uranium të varfër, kanë lindur fëmijë që nuk kanë të bëjnë asgjë me politikë dhe atë çka ka ndodhur në atë kohë, por mund të jenë viktima të saj”, u shpreh Trivan.

Tutje ai e ka cilësuar si të gabueshëm refuzimin e publikut në Kosovë për të folur lidhur me këtë temë.

“Është e qartë se pasojat janë atje. Ne do të provojmë të bëjmë disa hulumtime në Kosovë, sepse kjo nuk është politikë, por është një përkushtim për ambientin”, tha ai.

Në tetorit të vitit të kaluar, tri ministri serbe mbajtën takimin e parë të përbashkët, ku u propozua që të llogariten pasojat e bombardimeve të NATO-s.

Kjo nismë së fundi ka marrë edhe mbështetjen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Ballkani po armatoset deri në “dhëmbë”, me avionë, tanke dhe sisteme mbrojtëse

Përshkallëzimi i tensioneve mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara po reflektohet gjerësisht edhe në Ballkan, ku pjesa më e madhe e vendeve, pavarësisht mundësive financiare të kufizuara po përgatiten për më të keqen.

Serbia, Rumania, Bullgaria dhe Greqia (që “hallin” më të madh e ka më Turqinë), po rinovojnë armatimet e tyre, kryesisht të përqendruar tek flota ajrore.

“Lojën” e hapi Serbia, fillimisht me një numër avionësh që Beogradit iu dhuruan nga Rusia dhe më pas me blerjen edhe të disa sistemeve më të avancuara shumëfunksionale. Bëhet fjalë për sistemet e mbrojtjes anti-ajrore, S-300, gjenerata paraardhëse e të famshmit S-400, prodhimi rus që cilësohet si më efektivi në botë.

S-300 dhe gjashtë avionë MiG-29, Serbia i bleu në nëntor të 2017 nga Bjellorusia, ndërkohë që Rusia i dhuroi më vonë nëntë avionë të tjerë po të të njëjti lloj. Në atë kohë, Moska i premtoi Beogradit edhe dërgimin e 30 tankeve dhe 30 automjeteve të tjera të blinduara si dhuratë, por nuk ka informacion nëse këto mjete kanë mbërritur apo jo.

Kroacia nga ana tjetër është drejtuar në lindje për të rinovuar flotën e saj ajrore. Zagrebi nënshkroi që në 2013 një kontratë me Izraelin për 12 avionë F-16, për një vlerë totale prej 500 milionë dollarë, të paktën sipas të dhënave zyrtare të publikuara në atë kohë.

Por nuk u mjaftua me kaq! Ministria kroate e Mbrojtjes njoftoi në mars të këtij viti se ka pranua ofertën e Izraelit për të blerë një numër të papërcaktuar avionësh luftarakë shumëfunksionalë, për një vlerë që nuk bëhet publike.

Po në mars të këtij viti edhe Bullgaria u hodh në tregun e armatimit. Ministria e Mbrojtjes hapi një tender ku pret ofertat më të mira për avionët “të përdorur” F-16 amerikanë, apo Saab Jas 39 Gripen suedezë, Typhoon britanikë dhe Mirage francezë.

Avionët, thotë Sofja zyrtare, do të përdoren për të zëvendësuar flotën ajrore të amortizuar sovjetike. Fondi i vendosur për këtë qëllim, por edhe për blerjen e mjeteve tokësore të blinduara është 946 milionë dollarë.

Edhe Maqedonia fqinje është angazhuar “me sa mundësi ka” për t’u armatosur. Në 2017, Shkupi disa helikopterë transporti dhe luftarakë. Po ashtu u morën edhe një sërë mjetesh të blinduara tokësore.

Më shumë nga të gjitha vendet e Ballkanit ka shpenzuar Greqia, e nxitur edhe nga ashpërsimi i tensioneve me Turqinë. Athina planifikon që brenda pak vitesh të fuqizohet me një flotë F-16 të blerë direkt nga Shtetet e Bashkuara, në një operacion që do t’i kushtojë 2.4 miliardë dollarë.

Lëvizja e Qeverisë greke u kritikua brenda dhe jashtë vendit, pasi mbërrin në një kohë kur vendi s’e ka marrë veten nga kriza e thellë financiare dhe ekonomike që e ka kapluar që prej 2008. Por, vetë Alexis Tsipras e mbrojti këtë blerje në Parlamentin vendas. Ai tha se me këtë shumë vendi garanton sigurinë dhe sovranitetin territoral për vitet në vazhdim dhe nuk cenohen xhepat e qytetarëve.

Vetë Turqia nga ana tjetër ka investuar ndër vite në flotën e saj ajrore, tanke dhe sistemet e mbrojtjes anti-ajrore. Ankaraja, anëtare e NATO-s, ka nënshkruar së fundmi një marrëveshje me Rusinë për blerjen e sistemeve antiraketë S-400, një lëvizje e kritikuar nga SHBA, që thotë se këto sisteme nuk përmbushin parametrat e Aleancës.

Rumania nga ana tjetër u përfshi në bisedime për të blerë 36 avionë F-16 direkt nga Shtetet e Bashkuara. Në shtator të 2017, mediat vendase raportuan se tre të tillë u blenë, ndërkohë që në 2016 mori 9 avionë luftarakë të të njëjtit model nga Portugalia.

Për 2017, Bukureshti shpenzoi 1.07 miliardë euro për ushtrinë, ndërsa që nga maji i 2016-s mban edhe mburojën e NATO-s kundër raketave ballistike, të vendosur në pjesën jug-perëndimore të rajonit Deveselu.(TCH)

U arrestua dhe pastaj u lirua dje nga policia serbe pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës

Është liruar pjesëtari serb i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Milosh Shoshic, i cili ishte arrestuar dje nga autoritetet serbe në Konçul.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha. “Sipas informacioneve e kanë liruar pjesëtarin serb të FSK-së”, tha Berisha. Berisha theksoi se arrestimi i tij, është bërë në bazë të deklaratës së zyrtarit serb Marko Gjuric se do t’i dënojnë deri në 10 vjet, pjesëtarët serbë të FSK-së.

“Nuk kemi informacione të sakta për çka është ndaluar. Por sipas të gjitha gjasave është vazhdimësi e asaj deklaratës që të gjithë pjesëtarët e FSK-së do të dënohen deri me 10 vjet burg. Ky është rasti i tretë që ka ndodhur ditëve të fundit, ata dy tjerët i kanë liruar pas dy orëve”, theksoi Berisha. Ai e ka vlerësuar këtë veprim të autoriteteve serbe të dëmshëm për raportet mes dy vendeve, madje sipas tij, duhet kushtëzuar edhe dialogu deri në ndaljen e këtyre veprimeve.

“Në këtë formë largohen shumë gjëra dhe nuk e di edhe puna e çështjeve tjera që nuk janë pjesë e FSK-së, por edhe dialog në fund të fundit duhet të kushtëzohet me sjelljet e tyre. Nuk mundemi ne ta vazhdojmë dialogun e ata të bëjnë skenarë të natyrave të ndryshme”, u shpreh ai. Pjesëtari serb i FSK-së, Milosh Shoshicc, ishte arrestuar dje në orën 14:00 në pikën kufitare në Konçul.

Turqia: Do të blejmë sisteme të mbrojtjes nga Rusia pavarësisht paralajmërimit të SHBA-së

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, foto nga arkivi

Turqia ka anashkaluar një paralajmërim të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo për të mos blerë sistem raketor të mbrojtjes S-400 nga Rusia, duke thënë se marrëveshja tashmë është kryer dhe nuk ka kthim.

Gjatë një takimi të NATO-s në Bruksel më 27 prill, Pompeo i ka thënë homologut të tij turk se Shtetet e Bashkuara janë të “shqetësuara thellë” lidhur me vendimin e Ankarasë për të blerë sistem të mbrotjes raketore nga Rusia, të cilat nuk përkojnë me sistemet e NATO-s, ka njoftuar një zyrtar.

Zyrtarët amerikanë, po ashtu kanë thënë se Pompeo ka paralajmëruar Turqinë se shtetet që blejnë sisteme të tilla nga Rusia rrezikojnë të përballen me sanksione të reja, të llojit që SHBA-ja ka vënë ndaj Rusisë, duke i goditur industrinë ushtarake dhe atë të mbrojtjes.

Mirëpo ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka thënë për disa transmetues se blerja e sistemit të mbrojtjes është nënshkruar në muajin dhjetor dhe tani “është punë e kryer”.

Ai ka thënë se Rusia është “duke përshpejtuar procesin” për dërgimin e sistemit të mbrojtjes në Turqi.

“Ne kemi kompletuar procesin S-400. Ajo është punë e kryer”, ka thënë ai duke shtuar se Turqia nuk do të zmbraspet nga kërcënimi për sanksione.

“Qasja ‘Do të vendosim sanksione nëse bleni” nuk do të ketë ndikim në Turqinë”, ka thënë ai.

“Turqia nuk do ta pranojë këtë”.

Cavusoglu ka thënë se vendi i tij është e hapur për të blerë edhe armë tjera nga aleatët e NATO-s.

Ky vendim i Turqisë ka rritur tensionet të disa vende anëtare të NATO-s, të cilat kanë rritur forcat në krahun lindor të aleancës, për shkak të asaj që kanë cilësuar si rritje të kërcënimit rus.

Izetbegoviç: Do shkoja me qejf në Kosovë, nëse më ftojnë

“Po të më ftojë shteti i Kosovës unë me kënaqësi do ta vizitoja vendin tuaj”, ka thënë Bakir Izetbegoviç, udhëheqësi boshnjak i presidencës trepalëshe të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Ai ka deklaruar se ka dëshirë të madhe që ta thërrasin për vizitë në Prishtinë dhe këtë vizitë nuk do hezitonte ta realizonte nëse i vjen ftesa.

Përveç kësaj, ai ka shtuar se është e çuditshme se si Kosova dhe Serbia po flasin me njëra-tjetrën, ndërsa Kosova e Bosnja nuk po munden të arrin së paku në nivel të njëjtë të kontaktit, njofton Klan Kosova.

Izetbegovic ka pohuar gjithashtu se është për shkak të Republikës Serbe në Bosnje që shteti i tij s’po mundet ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë, ka shtuar se do të shohë se cilat janë mundësitë që së paku në nivel të shkëmbimit ekonomik të ketë lehtësime.

Bakir Izetbegovic dhe liderët e tjerë të rajonit po marrin pjesë në Samitin e Brdo – Brioneit, që këtë herë po mbahet në Shkup të Maqedonisë.

“Akt terrorist”, Serbia përgatit aktakuzë ndaj zyrtarëve të Kosovës për arrestimin e Gjuriçit

Ministri serb i Punëve të Jashtme Nebojsha Stefanoviç ka deklaruar se organet kompetente të Serbisë po ndërmarrin masa dhe veprime që do të duhej të shpinin në ngritje të aktakuzës kundër ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve për arrestimin e drejtorit të Zyrës së Kosovës në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriç, transmeton Koha.net.

Në foltoren e Kuvendit të Serbisë Stefanoviç ka thënë se “qytetarët e Serbisë janë dëshmitarë për aktin terrorist kundër Marko Gjuriç e qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë dhe Prokuroria për krim të organizuar ka filluar hetimet.

“Tashmë ekziston një drejtim i mirë në kuptimin se ne i kemi personat që kanë marrë pjesë në veprimet e ndryshme në këtë akt dhe që kundër atyre personave të ngrihet aktakuzë, ndërsa po priten rrethanat që ata të jenë të qasshëm tek organet tona dhe që t’i dorëzohen organeve tona të drejtësisë”, citon “Danas” të ketë thënë Stefanoviç.

Ai ka thënë Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme intensivisht në këtë dhe se nuk do të hiqet dorë që fajtorët të sillen para organeve tona.

Brnabiç: Për të mirën e serbëve do pranoja që Kosova të ishte pjesë e OKB-së

BEOGRAD – Zëvendëspresidenti i Partisë Popullore, Miroslav Aleksiç, ka thënë sot se shefja e Qeverisë së Serbisë, Ana Brnabiç ka pranuar se do të nënshkruajë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme që do t’i lejonte Kosovës një vend në OKB.

Siç shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, kryeministrja serbe i është përgjigjur një pyetje në Kuvendin e Kosovës nëse është e gatshme të nënshkruajë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me Prishtinën e cila Kosovës i “jep karrige” në OKB.

Në këtë drejtim, siç thuhet më tej, ajo ka thënë se “nuk do të trembem dhe as nuk do të hezitoj të nënshkruajë çfarëdo që të jetë e nevojshme për qytetarët serbë që të kenë siguri të plotë dhe një garanci për prosperitet të mëtejshëm”.

Ndërkohë, në një intervistë për The Guardian në Beograd këtë javë, përcjell Telegrafi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se beson se tanimë ka një interval kohor prej “gjashtë muaj apo një vit” në të cilën mund të jetë e mundur të nënshkruhet një marrëveshje me Prishtinën.

“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë çdo çështje të vetme, jemi gati të marrim parasysh çdo propozim të vetëm që do të nënkuptonte një zgjidhje kompromisi”.

Gjithsesi, sipas këtij mediumi, Vuçiç në këmbim të kësaj kërkon një paketë përfitimesh për Serbinë.

Vuçiq: Marrëveshja me Kosovën, për gjashtë muaj ose një vit

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se beson se brenda “gjashtë muajsh apo një viti”, mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Kosovën.

“Jemi të gatshëm të bisedojmë për çdo çështje, ne jemi të gatshëm të marrin në konsideratë çdo propozim i cili do të nënkuptonte një zgjidhje kompromisi”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për The Guardian.

Kosova dhe Serbia, që prej vitit 2011 janë duke mbajtur në Bruksel bisedime të nivelit të lartë për normalizimin e marrëdhënieve.

Është thënë se të dyja shtetet duhet të arrijnë marrëveshje ligjërisht të obligueshme për këtë qëllim.

Qeveria e Serbisë shpall të padëshiruar ministrin kroat të mbrojtjes

BEOGRAD – Qeveria e Republikës së Serbisë në mbledhjen e sotme ka vendosur për masat e reciprocitetit ndaj Kroacisë, sipas së cilës zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Damir Krstiçeviç, deri në vendimin e radhës është i padëshiruar në Serbi.

Qeveria e Serbisë njofton se masa e reciprocitetit është marrë si përgjigje ndaj notës së Ministrisë së Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë për ndalimin e hyrjes të ministrit serb të mbrojtjes Aleksandër Vulin në Kroaci.

“Qeveria e Serbisë konsideron se veprimet e tilla të Kroacisë janë në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe respektit të vlerave themelore evropiane, ku bënë pjesë edhe lëvizja e lirë e njerëzve”, thuhet në kumtesë.

Poashtu më tej potencohet se Qeveria e Serbisë mbetet e përkushtuar në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kroacinë, duke u përmbajtur nga veprimet që mund të çojnë në prishjen e marrëdhënieve me fqinjët.

“Qeveria e Serbisë mbetet e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe respektit të parimeve dhe vlerave evropiane, në interes të të gjithë qytetarëve të Serbisë dhe rajonit”, theksohet në deklaratë.

Ministria e Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë, më 21 prill njoftoi se ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandër Vulin, nuk është i mirëpritur në Kroaci deri në njoftimin e mëtejshëm, sepse pas polemikave në opinionin kroat rreth vizitës së tij në Kroaci, pati deklaraur se në lidhje me të mund të vendos komandanti suprem i Ushtrisë së Serbisë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, dhe jo ministrat kroatë. Kjo u vlerësua si “përpjekje e pashembullt dhe e papranueshme për mohimin e sovranitetit të Kroacisë”. aa

Kritikohet vendimi i gjykatës serbe për lirimin e Cvjetanit, vrau 14 civilë shqiptarë më 28 mars 1999 në Podujevë

Njëra nga ta është edhe Saranda Bogujevci e cila u plagos me 16 plumba

Fondi për të Drejtën Humanitare ka kritikuar lirimin e hershëm të Sasha Cvjetanit, duke thënë se gjatë gjyqit ai nuk ka shprehur kurrë keqardhje dhe pretendonte se procesi ishte “politik”.

Cvjetan ishte një anëtar i njësitit Shkorpionët i cili mori pjesë në vrasjen e 14 shqiptarëve në Podujevë me 28 mars të vitit 1999. Nga të vrarët kishte gra dhe fëmijë.

“Bëhet fjalë për gra dhe fëmijë, por edhe se ai gjatë gjithë vazhdimit të procesit ka mohuar fajësinë e tij, duke thënë se ky proces i është montuar politikisht”, tha Ivana Zhaniq, juriste në Fondin për të Drejtën Humanitare.

“Gjykata ka gabuar që i ka dalë përballë kërkesës së Cvjetanit dhe se është dashur që të merren parasysh edhe vet rrethanat nën të cilat ai e ka kryer veprën penale”.

Një gjykatë në Serbi e liroi Cvjetatin duke thënë se tashmë ai kishte kaluar dy të tretat në burg. I dënuar me 20 vjet ai është dashur të lirohet në vitin 2021.

Në masakrën e Podujevës pesë persona kanë shpëtuar duke marrë plagë të rënda. Njëra nga ta është edhe Saranda Bogujevci e cila u plagos me 16 plumba.

Ajo sot është deputete në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja ruse, që është në listë të zezë të SHBA-së, viziton Serbinë

Natalija Poklonskaja në vizitë në Serbi.

Deputetja e Dhomës së Ulët të Parlamentit rus, e zgjedhur në zgjedhjet në Krime, Natalija Poklonskaja, ndodhet për vizitë në Serbi, ku takoi anëtarët e Këshillit të Asamblesë së Serbisë për diasporën dhe serbët në rajon.

Poklonskaja, nga viti 2014 deri më 2016, ka qenë prokurore në Krime, pasi ky rajon ukrainas është aneksuar nga Rusia.

Për shkak të përfshirjes në krizën në Ukrainë, Poklonskaja, nga viti 2014, është në listën e zezë të Ministrisë së Financave të SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Autoritetet ukrainase e kanë futur Poklonskajën në listën e të kërkuarve, duke e akuzuar atë për “aktivitete për ndryshimin e dhunshëm të rendit kushtetues”.

Beogradi zyrtar e trajton Krimenë si pjesë të Ukrainës dhe nuk e njeh aneksimin rus.

Pas përdhosjes së flamurit kroat, rriten tensionet midis Serbisë e Kroacisë

Serbia dhe Kroacia kanë tensionuar marrëdhëniet, pas incidentit që ndodhi gjatë vizitës së delegacionit kroat në Beograd. Përdhosja e flamurit kroat nga lideri i radikalëve serbë ka tensionuar marrëdhëniet mes dy shteteve

Serbia kësaj radhe, sipas tabloidit Alo, është duke shqyrtuar ndalimin e hyrjes në vend për kryeministrin Andrej Plenkoviq, ministrin e Mbrojtjes, Tomo Medved dhe deputetin kroat, Miro Bul.

Gjatë vizitës së delegacionit kroat në Beograd, kryeradikali serb, Voisllav Sheshel, përdhosi flamurin e shtetit fqinj dhe shau zyrtarët nga Kroacia.

Kjo bëri që delegacioni kroat të ndërpresë urgjentisht vizitën dhe të kthehej në Zagreb, duke e quajtur veprimin e palës serbe si provokues.

Ndërkohë që Zagrebi zyrtar i ka ndaluar hyrjen në Kroaci ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin, Beogradi zyrtar është duke përgatitur emrat e zyrtarëve kroatë, të cilëve do t’iu ndalohet hyrja në Serbi si masë reciproke.

Jeremiçi: “Thaçi e Vuçiçi u pajtuan për këmbim territoresh, por nuk i lejoi Amerika”

Kryetari i Partisë Popullore të Serbisë Vuk Jeremiç ka bërë një deklaratë të fuqishme, ndërsa theksoi se presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi, janë pajtuar për këmbim territoresh, por ky opsion dështoi, për shkak të faktorit ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë cilësuar si të papranueshëm çfarëdo ndryshimi i kufijve, qoftë edhe me pëlqimin e ndërsjellë.
Në një intervistë për gazetën “Vreme”, Jeremiç ka thënë se Vuçiçi dhe Thaçi u takuan më 13 mars në Paris, dhe pastaj një javë më vonë në Nju Jork, që ishte një përgatitje për takimin e tyre të përbashkët me Federica Mogherini, më 23 mars në Bruksel, përcjell Telegrafi.

Sipas Jeremiçit, Vuçiç shprehu gatishmërinë e tij për të nënshkruar një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, e cila praktikisht do t’i mundësonte ulëse Kosovës në OKB, por ka vlerësuar se është e nevojshme që të fitonte diçka të prekshme për këtë. “Ideja e tij ishte të merrte ndarjen e Kosovës, me saktësisht veriun e Kosovës, gjë të cilën e ka refuzuar Thaçi”, ka thënë Jeremiç. Në takimet në Paris dhe në Nju Jork, sipas Jeremiqit, “Vuçiq ka shkuar një hap më tej dhe ka ofruar këmbim të territorit, që në këtë paketë përveç ulëses në OKB, Kosovës t’i takojnë komunat në jug të Serbisë, dhe Thaçi u pajtua me këtë”. “Problemi lindi kur aktorët ndërkombëtarë, sidomos SHBA-të, thanë se në parim është i papranueshëm çdo ndryshim kufijsh, qoftë edhe nëse të dy palët pajtohen për këtë, sepse kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm, i cili do të mund të zbatohej edhe diku tjetër në Ballkan”, tha Jeremiq.

Ish-ministri i jashtëm serb dhe presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Jeremiçi thotë se pas kësaj u krijua një problem serioz për Vuçiçin, sepse ai shumë më herët është obliguar për të nënshkruar një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, “dhe tani duket se për këtë nuk do të fitojë asgjë”. “Pika e fundit për të cilën Vuçiçi dhe Thaçi ishin marrë vesh ishte skenari i arrestimit të Gjuriçiit në veri të Kosovës”, thotë Jeremiçi.

Vuçiçi: Serbia do zgjidhjen e problemit të Kosovës për të shpëtuar nga falimentimi

BEOGRAD– “Dëshira e Serbisë është që të zgjidhet problemi i Kosovës, në mënyrë që ajo ta luftojë falimentimin, ta zvogëlojë borxhin publik dhe papunësinë, dhe do ta zgjidhim, nëse kemi mjaftë guxim dhe përmbajtje, kemi shans që ta zgjidhim këtë problem”, ka deklaruar kryetari i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ai ka porositur, pas takimit me kryeministrin belg Charles Michel, se do të jep gjithçka prej vetes në mënyrë që të arrihet deri te ajo zgjidhje dhe se njerëzit në Serbi nuk duhet të presin që ajo të jetë maksimaliste, por vetëm rezultat i kompromisit të pranueshëm për të dyja palët.

Michel ka theksuar se Serbia është e rëndësishme për Bashkimin Evropian, sepse ka dimension rajonal, si dhe ai i takon njerëzve të cilët e vënë pozitën strategjike rajonale në maje të prioriteteve.

Prokurorët kërkojnë që Karaxhiçi të dënohet me burgim të përjetshëm

Prokurorët e Kombeve të Bashkuara i kanë bërë thirrje gjykatësve të Apelit, që ta dënojnë ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, për akuzën gjenocid dhe ta dënojnë atë me burgim të përjetshëm.

Prokurorja Katrina Gustafson, para një paneli prej pesë gjyqtarësh të Mekanizmit për Tribunalit Ndërkombëtar për Krime në Hagë, ka thënë se Karaxhiç ka “abuzuar fuqinë e tij për të derdhur gjakun e viktimave të panumërta” gjatë luftës në Bosnjë, që pasoi shpërbërjen e Jugosllavisë në fillim të viteve të 90-ta.

“Drejtësia kërkon që ai të marrë dënimin më të lartë të mundshëm – burgim të përjetshëm”, ka thënë Gustafson.

Në mars të vitit 2016, Karaxhiq është shpallur fajtor për dhjetë akuza që lidhen me mizoritë e kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë në vitet 1992-95 dhe është dënuar me 40 vjet burgim.

Ai është dënuar për gjenocid, lidhur me rolin e tij në Masakrën e Srebrenicës, ku rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë u vranë. Kjo ngjarje konsiderohet si masakra më e rëndë në Evropë, që prej Luftës së Dytë Botërore.

Lufta në Bosnje mori jetën e mbi 100 mijë personave dhe rreth 2.2 milionë të tjerë, u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.

Në apelin e tyre, prokurorët po ashtu po kërkojnë që të anulohet vendimin për lirimin e Karaxhiqit nga akuza e dytë për gjenocid që lidhet me sulmet dhe qëllimin për të shkatërruar popullsinë myslimane dhe kroate në pjesë të tjera të Bosnjës dhe ai të shpallet fajtor për këtë akuzë.

Karaxhiq, 72-vjeç, së bashku me ekipin e tij ligjor po ashtu kanë dërguar në Gjykatën e Apelit, dënimin e tij prej 40 vjetësh burgim. Karaxhiq ka kërkuar rigjykim apo lirim nga akuzat.

Vendimi për këtë çështje pritet të merret në fund të këtij viti.


Send this to a friend