TIRANË – Mastershefja e njohur turke, Ebru Baybara Demir, tha se gastronomia në fakt është një diplomaci, një fuqi e rëndësishme. Demir, e cila vizitoi Shqipërinë me ftesë të Ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, me rastin e 95-vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë, për Anadolu Agency (AA) vlerësoi vizitën e saj, punimet e saj si dhe kuzhinat turke dhe shqiptare.
Për të pranishmit në pritjen zyrtare të Ambasadës së Turqisë në Tiranë me rastin e 29 Tetorit, u shërbyen gatime tradicionale turke të përgatitura nga mastershefja e njohur turke, Ebru Baybara Demir, ndërsa po ashtu me mbështetjen e ambasadës dhe Turkish Airlines në datat 30-31 tetor ajo ka përgatitur gatime të ndryshme për të interesuar për gatimet turke.
Ajo deklaroi se njerëzit në Shqipëri i konsideron “shumë të ngrohtë”, si dhe shumë të afërt me popullin turk, dhe shprehu kënaqësinë nga interesimi që i është shprehur asaj.
Demir më tej tregon se prej 20 vitesh është duke e kryer këtë profesion dhe punon mbi kulturën tradicionale të kuzhinës. Ajo tha se kuzhinat e Anadollit Juglindor si dhe ajo turke janë në mesin e kuzhinave më të rëndësishme të botës.
Mastershefja turke thekson se kuzhina osmane është lindur me ndikimin e kuzhinave të Anadollit dhe Mesopotamisë. “Unë mendoj se këto kuzhina kanë formuar një kulturë të përbashkët gatimi. Shumëllojshmëria jonë, pasuria e produkteve tona ka pasqyruar në diversitetin njerëzor, diversitetin biologjik që gjithashtu ka reflektuar në kuzhinë. Prandaj kuzhina turke është në mesin e kuzhinave të rëndësishme në botë”, u shpreh Demir.
Ajo duke rikujtuar se Shqipëria dhe Turqia qindra vite kanë përjetuar një unitet historik dhe kulturor, gjë e cila ka siguruar që edhe kuzhinat të hyjnë në ndërveprim, theksoi se të dy popujt janë shumë afër mes njëri-tjetrit në shumë sfera, duke përfshirë edhe kuzhinën.
– “Kuzhina shqiptare ka ngjashmëri me kuzhinën e Anadollit”
Demir gjithashtu tërhoqi vëmendjen se një ndër veçoritë e kuzhinës shqiptare është se e favorizojnë “kulturën djegëse”, gjë e cila e bën atë të ngjashme me kuzhinën e Anadollit Juglindor.
Për pasqyrimin e mirë të kuzhinës në botë, ajo thotë se, është e nevojshme përgatitja e shefave të mirë, ndërsa kuzhina turke posedon shefa shumë të mirë, e cila në të ardhmen me bashkimin me kuzhinën ballkanase do të përbëjnë një integritet.
Demir tregon se shijet nga Ballkani, duke përfshirë edhe ëmbëlsirën “trileçe” janë shumë popullore në Turqi. Ajo mendon se me punime të mira këto shije mund të marrin vendin e merituar të tyre në mesin e kuzhinave të rëndësishme në botë.
“Gastronomia është në fakt një diplomaci”, thotë Demir. “Ashtu siç e dini në Turqi jemi mikpritës i 4 milionë refugjatëve sirianë. Ne jemi duke kryer disa punime për t’i siguruar këtyre njerëzve integrimin. Pika fillestare e kësaj është ushqimi, domethënë gastronomia. Ne me këtë shembull e pamë se si kuzhina i bashkon dhe i afron dy popujt. Mendoj se gastronomia me të vërtetë është një fuqi, një fuqi në aspektin e mbijetesës së njerëzve, që të vazhdojnë jetën e tyre, si dhe sigurimin e vazhdimësisë, vazhdimin e kulturës”, shpjegon ajo më tej për AA.