VOAL

VOAL

Petrich e pranon që shkëmbimi i territoreve s’është zgjidhje, nuk do që SHBA ta kryejë punën e Kosovës

Diplomati austriak, Wolfgang Petrich, në një intervistë të gjatë për edicionin e BBC-së në gjuhën serbe ka folur për rrjedhën e dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bllokimin e procesit, idenë e korrigjimit të kufijve dhe aspekte të tjera, shkruan Gazeta Express.

Teksa ka folur për idenë e korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve, Petrich ka thënë se fillimisht ka qenë i hapur ndaj një ideje të tillë, por thekson se ishte i bindur që një ide e tillë nuk ishte një zgjidhje që mund të aplikohej në shekullin 21.

“Ndryshimet kufitare kanë ndodhur në të kaluarën përmes luftës dhe konflikteve”, ka thënë Petrich për BBC, transmeton Gazeta Express.

Në këtë intervistë diplomati austriak ka treguar edhe për kundërshtimin kategorik të Gjermanisë për idenë e ndryshimit dhe shkëmbimit të territoreve.

“Wolfgang Ischinger më ka thënë se ne e dimë çfarë nuk duan në Berlin, por ata nuk ka thonë neve se çfarë dëshirojnë”, ka shpjeguar Petrich.

Ai thotë se edhe nëse dy palët do të pajtoheshin për ndryshime të kufijve, konsensusi i palëve të përfshira do të ishte i nevojshëm dhe se një gjë e tillë do të merrte shumë kohë për të analizuar në mënyrë të detajuar i gjithë procesi.

“Përndryshe nuk ka zgjidhje të mira ose perfektë në Ballkan”, konkludon Petrich, transmeton Gazeta Express.

Teksa flet për përfshirjen e fuqive të mëdha në gjetjen e një zgjidhje finale për problemin Kosovë-Serbi, Petrich thotë se involvimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të paraqiste problem për procesin.

“Unë, si evropian nuk do të doja të shoh një zgjidhje amerikane për problemin evropian”, ka thënë Petrich.

Diplomati austriak ndërkohë nuk ka ngurruar që të thur lavde për ambasadorin aktual të Rusisë në Beograd, Alexander Bocan-Harchenko, më të cilin ishte njohur gjatë kohës sa kishte qenë përfaqësues i Lartë në Bosnje e Hercegovinë.

“Diplomatët rus janë profesionistë të vërtetë, ata nuk kanë pozicione politike si amerikanët”, ka thënë ndër të tjera Petrich.

Ai ka shtuar në këtë intervistë ndër të tjera e ka pranuar hapur se është angazhuar që të afrojë sa më shumë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin me atë të Serbisë, Aleksander Vuçiq, duke zbuluar kështu që kishte qenë edhe iniciator i organizimit të Forumit të Alpbachut në Austri, forum ky ku për herë të parë filluan hapur diskutimet për korrigjimin e kufijve.

“Unë i propozova një takim të tillë presidentit austriak, kështu që u organizua në Forumin Alpbach”, ka thënë Petrich.

Përveç kësaj diplomati asutriak propozon edhe ndryshimin e formatit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se do të ishte ide e mirë të organizohej një konferencë ndërkombëtare.

Duke folur rreth rolit të Rusisë në bisedimet për Kosovën dhe kthimin e Grupit të Kontaktit, Petrich thotë se “ Moska është duke i dërguar porosi Washingtonit që është e pamundur që SHBA të vijë në Ballkan dhe t’i marrë gjërat në duar duke theksuar interesat e saj.

E sipas Petrich, Moska është duke ia dërguar një porosi të veçantë BE’së.

“Moska dëshiron ta prishë situatën, sepse nuk e do një BE të fortë dhe të vendosur – dhe Ballkani është një dëshmi për këtë” ka thënë Petrich.

Publikohet video nga momentet e fundit të Milosheviqit para ekstradimit në Hagë

Gazetari serb Stefan Cvetkoviq, ka publikuar një video në të cilën shihet ish-presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë Sllobodan Milloshevic, pak para ekstradimit nga Tuzla në Hagë, në vitin 2001

Sipas mediave serbe, pamjet tregojnë se si Milloshevici po hynte në një dhomë, siç pretendohet, në një bazë ushtarake amerikane në kampin “Eagle” në Bosnje dhe Hercegovinë, fillimisht i shoqëruar nga një person me uniformë ushtarake.

Pas hyrjes, Milloshevic është në shoqërinë e një oficeri me të cilin, sipas regjistrimit, ai po fliste në mënyrë paqësore.

Vuçiç: Nuk ka marrëveshje nëse shqiptarët fitojnë gjithçka e Serbia asgjë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se është i ndërgjegjshëm që nuk do të ndryshojë qëndrimin amerikan në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, por Beogradi kërkon një kompromis i cili nënkupton se shqiptarët nuk mund t’i fitojnë të gjitha e Serbia asgjë.

Ai u takua të martën me Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo dhe të mërkurën me zotin Matthew Palmer, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, të cilëve u ka shprehur gatishmërinë e tij për rifillimin e bisedimeve me Prishtinën pas heqjes së tarifave ndaj mallrave serbe.

Ai tha se shpreson që Shtetet e Bashkuara të shtojnë trysninë mbi Kosovën për këtë çështje, ndonëse nuk pret rifillim bisedimesh para dhjetorit, meqë Kosova pritet të mbaj zgjedhjet e parakohshme.

“Amerika në vitin 2008 e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Të gjitha vendet e fuqishme perëndimore e kanë njohur pavarësinë e Kosovës më 2008 dhe 2009. A mendoni që vërtetë, ndonëse Serbia sot është në gjendje më të mirë ekonomike, në pikëpamje ushtarake e politike është më e fuqishme dhe ka më shumë respekt në botë sesa që kishte, vërtetë mendoni se jemi në gjendje të ndryshojmë vendimin e Shteteve të Bashkuara”?

Por kjo, tha ai, nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. “Mund të bisedojmë për çdo gjë nëse bëhet fjalë për kompromis. Por, për atë që shqiptarët të fitojnë gjithçka e Serbia asgjë – nuk mund ta keni nënshkrimin tim kurrë”, tha presidenti serb, duke theksuar se amerikanët sërish i kanë thënë hapur se duan “njohje të ndërsjellë”.

Ai tha se për këtë arsye ka propozuar zgjidhje kompromisi dhe për këtë ka diskutuar sërish me zyrtarët amerikanë duke përfshirë shumë “modalitete”.

“Por duhet të kuptojmë që ëndrrat tona boshe nuk kanë lidhje me realitetin”, tha ai, duke nënvizuar se “çdo luftë, çdo konflikt, çdo përulje do të ishte katastrofë për Serbinë”.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, janë bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat për t’u hapur rrugën bisedimeve. Por qeveria e Kosovës i ka rezistuar trysnisë ndërkombëtare.

Aktualisht Kosova ka një qeveri në dorëheqje, pasi më 19 korrik kryeministri Ramush Haradinaj paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme meqë u thirr për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme për krime lufte me seli në Hagë.

Të enjten pritet shpërndarja e parlamentit të Kosovës dhe pas atij vendimi edhe shpallja e datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Greqia rikthen çështjen “Katsifas”: Të përfundojnë menjëherë hetimet

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dhendias u ka dërguar një mesazh autoriteteve shqiptare për të përfunduar sa më shpejt hetimet e organeve përkatëse për sqarimin e rrethanave nën të cilat humbi jetën Konstantinos Katsifas.

Mesazhi i tij përfshihet në përgjigjjen e interpelancës që ka kërkuar për këtë ngjarje një deputet i partisë së re “Zgjidhja Greke”, në datën 8 gusht dhe publikohet sot.

“Athina i ka bërë të qartë palës shqiptare se hetimet përkatëse duhet të përfundojnë menjëherë dhe të publikohet sa më shpejt të jetë e mundur, pa vonesa të mëtejshme, raporti i hollësishëm që do të hedhë dritë mbi të gjitha aspektet e çështjes dhe kjo do të çojë në dhënien e drejtësisë, por dhe sigurisë për minoritetin kombëtar grek”, thekson kryediplomati grek.

Ai nënvizon gjithashtu faktin se  Ministria e Jashtme që ai drejton  tregon seriozitet dhe përgjegjësi në trajtimin e çështjes së rëndësishme të Katsifas-it, duke informuar në mënyrë sistematike dhe sensibilizuar partnerët ndërkombëtarë në këtë drejtim, si dhe për çdo zhvillim që ndikon negativisht te minoriteti grek në Shqipëri.

Dhendia kritikon vonesën e madhe në hetime, që ka ardhur edhe si rezultat i ndryshimit të prokurorit të çështjes dhe kërkon që në këtë fazë të publikohet Raporti Zyrtar i Prokurorisë së Pergjithshme të Krimeve të Rënda për kushtet në të cilat humbi jetën një pjesëtar i minoritetit dhe njëkohësisht shtetas grek.

Ministri i Jashtëm përfundoi përgjigjen e tij duke theksuar se  pozicionimi i përhershëm i Athinës është dhe ka qenë mbrojtja e të drejtave të Minoritetit Kombëtar Grek, e cila ka të bëjë jo vetëm me marrëdhëniet bilaterale Greko-Shqiptare, por edhe me perspektiven evropiane të Tiranës, pasi përbën  një nga 5 prioritetet kryesore që Shqipëria duhet të përmbushë në mënyrë që të marre në tetor datën për hapjen e negociatave për integrim në BE.

Bashkëpartiakja: Të huaj, shqiptarë e serbë, të përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit

Nënkryetarja e Iniciativës Qytetare “Sloboda, Demokratija, Pravda’ (SDP), Ksenija Bozhoviq, ka deklaruar se në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq janë përfshirë të gjithë, të huajt, shqiptarët dhe serbët. Ajo gjatë një interviste për KosovaPress, u shpreh skeptike se do të gjendet ndonjëherë autori i vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Sipas saj, hetimet rreth kësaj vrasje që nga fillimi kanë shkuar keq.

“Pas tërë kësaj kohe dhe në bazë të komplet procedurës se si ka shkuar deri tash, si dhe mënyrës së kryerjes së likuidimit, ne dyshojmë se këtu janë të përfshirë të huajt, shqiptarët dhe serbët… Hetimi që nga dita e vrasjes, organet hetuese nuk e kanë kryer punën në mënyrë profesionale, që është shumë me rëndësi për tërë procedurën e cila po vazhdon. Kjo punë është bërë jo profesionalisht dhe në mënyrë të shëmtuar, që është pasojë e gjithë asaj që ka ndodhur deri tani.. Ashtu siç qëndron situata tani, nganjëherë mendojmë se sikur nuk dëshirohet që vrasësi i Oliverit të gjendet”, ka thënë Bozhoviq.

Ajo tha se anëtarët e SDP-së do të insistojnë vazhdimisht dhe nuk do të ndalen kurrë, duke kërkuar nga organet gjegjëse që vrasjen e liderit të tyre ta zbardhin sa më parë dhe që autori apo autorët e kësaj vrasjeje të vihen nën pranga. Në lidhje me pjesëmarrjen në zgjedhjet e mundshme që do të ndodhin në Kosovë, Bozhoviq ka bërë të ditur se akoma nuk janë krijuar kushtet në atë pjesë për zgjedhje të lira dhe demokratike, andaj nuk është marrë ndonjë vendim rreth pjesëmarrjes në këto zgjedhje.

“Duke marr parasysh tërë situatën, ne që nga zgjedhjet e kaluara dhe deri tani, konsiderojmë se asgjë konkrete nuk ka ndryshuar. Ne patëm shkuar në dy procese zgjedhore, dhe në të dyja këto zgjedhje kemi dy vrasje të cilat deri sot nuk u ndriçuan. Pastaj Ligji për zgjedhjet nuk ka ndryshuar fare. Të kujtojmë ato spotet e mundimshme gjatë fushatave të kaluara për të cilat njëjtë askush deri tash nuk ka dhënë përgjegjësi. Kështu që nuk janë krijuar kushtet që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike, në mënyrë që qytetarët të japin votën e tyre për njeriun të cilin konsiderojnë se do të ndryshojë diçka dhe do të krijojë kushte më të mira për jetesë. Andaj, ne akoma jemi duke menduar sa i përket këtyre zgjedhjeve, dhe nuk kemi marr ndonjë vendim”, theksoi Bozhoviq.

Ndryshe, ish politikani serb Oliver Ivanoviq ishte vrarë me gjashtë plumba në një atentat të organizuar më 16 janar 2018 para selisë së partisë së tij në veri të Mitrovicës, ndërsa rreth kësaj ngjarje deri tani janë arrestuar disa persona si të dyshuar dhe janë intervistuar mbi 100 të tjerë, por deri tani pa ndonjë rezultat konkret.

Izetbegoviç: Zgjidhja midis Beogradit e Prishtinës nuk duhet të ndikojë në BeH

Saraybosna

ALMIR TERZIC, LEJLA BIOGRADLIJA

Kryesuesi i Dhomës së Popujve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) dhe kryetari i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviç, duke iu referuar mosmarrëveshjeve aktuale në rajon ka deklaruar se zgjidhja mes Prishtinës dhe Beogradit nuk duhet të ndikojë në vendin e tij.

Izetbegoviç i cili është lideri i partisë më të madhe boshnjake në vend, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) foli për punimet për krijimin e qeverisë të cilat vazhdojnë për më shumë se 10 muaj, si dhe për çështje tjera rajonale.

Nuk vjen parasysh ndërlidhja e çështjes së të ardhmes së Kosovës me atë të BeH-së

Izetbegoviç thekson se po tentohet që të ndërlidhet çështja e së ardhmes së Kosovës me atë të BeH-së, për të cilën thotë ai, “kuptohet se nuk vjen parasysh”.

“Por ja që në politikë gjithçka është e mundur. Nëse ndonjëherë mund të ndërlidhen këto dy çështje, ky pazarllëk (polemikë) i yni në raport me Beogradin dhe Prishtinën, atëherë e përbashkëta është ajo që pala serbe në Kosovë dhe BeH ka kryer krime të ngjashme, gabime dhe mëkate të ngjashme. Dhe në fund të fundit, me këtë sjellje dhe me këtë dhunë janë shkaktuar sulmet e NATO-s. Kështu që, kjo nuk mund të ndërlidhet në asnjë mënyrë më tej në kuptim që diçka të kompensohet në BeH, eventualisht atë që Serbia mund ta humbasë me zgjidhjen për Kosovën. Vetëm mund të lëshohemi në disa aventura të vështira dhe në skenarë shumë të paqartë. Shpresoj se do të ketë mençuri të mjaftueshme që të mos shkojmë në këtë drejtim”, tha Izetbegoviç.

Autostrada Sarajevë-Beograd

Izetbegoviç, ndër të tjerat foli edhe për Projektin e Autostradës Sarajevë-Beograd të cilën e mbështet Turqia, ku tregoi se para një kohe të shkurtër ka biseduar me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe i ka transmetuar se ndërtimin e autostradës planifikojnë ta fillojnë menjëherë pasi të themelohet qeveria në vend.

Siç thotë ai, ndërtimi i autostradës nënkupton punësimin e mijëra personave.

“Një tjetër shkak që të tejkalohet kriza politike është ndërtimi i kësaj autostrade, sepse ky projekt i madh është shumë i rëndësishëm për të gjithë”, u shpreh Izetbegoviç.

Krijimi i qeverisë

Duke rikujtuar marrëveshjen e koalicionit të cilin më 5 gusht e ka nënshkruar partia e tij SDA me Bashkësinë Demokratike Kroate (HDZ) të Bosnjes dhe Aleancën të Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), Izetbegoviç theksoi se me këtë marrëveshje janë përcaktuar principet e krijimit të qeverisë së re në nivel shtetëror.

Në lidhje me Planin Vjetor Kombëtar (ANP), i cili është një ndër hapat më të rëndësishme për çështjen e anëtarësimit dhe procesit të anëtarësimit në NATO, të cilën e kundërshtojnë serbet e vendit, Izetbegoviç tha se, “Pa u zgjidhur çështja e Planit Vjetor Kombëtar nuk mund t’i jepet askujt detyra për krijimin e qeverisë”.

Edhe pse anëtari serb i Këshillit Presidencial të BeH-së, Milorad Dodik, ka nënshkruar në emër të partisë së tij SNSD marrëveshjen e koalicionit, ai vërehet të jetë kundër ANP-së, thotë lideri boshnjak.

“Dy pika më të rëndësishme nga procesi i anëtarësimit në NATO janë këto, pajtueshmëria me kushtetutën dhe sundimi i ligjit, nga të cilat nuk do të dorëhiqemi. Nuk është e mundshme që një entitet brenda shtetit ta urdhëroj shtetin. Dodik nuk mundet të na imponojë vullnetin e tij”, tha ai.

Ende nuk dihet nëse cisterna iraniane do të ankorohet në Greqi

Transportuesi iranian duke dalë nga Gjibraltari.

Greqia tha se nuk ka marrë kërkesë për të lejuar arritjen e një cisterne të naftës, e cila është nisur nga porti i Gjibraltarit.

Shtetet e Bashkuara e paralajmëruan Greqinë kundër pranimit të cisternës.

“Anija po lundron me shpejtësi të ulët, dhe ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar se do të arrijë në Kalamata. Ministria e Tregtisë Detare po monitoron çështjen së bashku me Ministrinë e Jashtme të Greqisë”, tha një zëdhënës i ministrisë greke të transportit.

Cisterna ishte konfiskuar në Gjibraltar para rreth pesë javësh, pasi autoritetet thanë se ajo po transportonte naftë iraniane në Siri. Kjo përbënte shkelje të sanksioneve të Bashkimit Evropian.

Konfiskimi i saj u ndihmua nga marinsat britanikë, të cilit ishin ftuar nga autoritetet e Gjibraltarit.

Tensionet ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Iranit u përshkallëzuan.

Disa ditë më pas, Irani njoftoi se ka konfiskuar një cisternë me flamur britanik.

Pasi autoritetet e Gjibraltarit lejuan që anija të dalë nga porti i këtij vendi, Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara bëri kërkesë për ndalimin e cisternës.

Kërkesa nuk u pranua nga ana e Gjibraltarit. rel

Vuçiq do të takohet me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo

Më 20 gusht, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, do të takohet me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo, në margjinat e një takimi të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në New York, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.

Radio Televizionit i Serbisë, raportoi se tema kryesore e bisedimeve midis Vuçiqit dhe Pompeos, do të jetë situata në Kosovë.

Pompeo do të marrë pjesë në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, dhe është planifikuar të takohet edhe me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteres.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për arritjen sa më parë të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian janë ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar, për shkak të tarifës ndaj mallrave serbe të cilën e ka vendosur Qeveria e Kosovës.

Masa, sipas zyrtarëve në Prishtinë, është ndërmarrë për shkak të fushatës kundër shtetësisë së Kosovës, që e kanë zhvilluar zyrtarët serbë. rel

Shoferi shqiptar ndalohet nga policia serbe, fëmija në bagazh

Në Merdare, duke kaluar kufirin me Serbinë, policia serbe ka ndaluar një shofer shqiptar. Nga burimet e Indeksonline mësohet se arsyeja e arrestimit ka qenë për shkak se shoferit shqiptar i është gjetur një fëmijë në bagazh.

Në këto momente shoferi shqiptar është duke marrë në pyetje nga policia serbe.

Ndodh në Serbi,gruaja paguan një burrë që t’i vrasë bashkëshortin

SERBI

Një ngjarje e rëndë dhe e rrallë vjen nga Serbia. Policia serbe ka arrestuar Tatjana B. nga Senta në veri të Serbisë me dyshimin se nxiste një burrë për të vrarë burrin e saj.

Kjo ngjarje ka ndodhur mes majit dhe kohës së arrestimit të gruas. Plani i saj ishte të linte derën e shtëpisë të zhbllokuar dhe i sugjeroi vrasësit të gatshëm që të hynin brenda shtëpisë natën dhe ta vrisnin burrin në dhomën e gjumit, ta rrihnin, dhe në fund të bënin sikur në banesë ka ndodhur një grabitje, shkruajnë mediat në shtetin serb.

Ajo i kishte dhënë vrasësit të paguar 1000 euro, kurse i kishte premtuar sedo i japë gjithsej 1600 euro. Ajo u vu në pranga, në momentin që po i jepte vrasësit me pagesë edhe 80 euro, të cilat ishin për një bashkëpunëtor tjetër të vrasësit me pagesë.

Pas arrestimit të saj, Tatjana B. u mor në pyetje dhe u urdhërua të mbahej në arrest për 48 orë. Hetimi për këtë ngjarje vazhdon.

(Balkanweb)

Daçiq: Tërheqja e njohjeve të Kosovës, proces i pandalshëm

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se tërheqja e njohjeve të Kosovës është proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm.

Sipas tij, këtë javë është dashur të shpallet edhe një vendim i ri për tërheqje të njohjes, por Serbia “nuk dëshironte të krijonte shqetësime gjatë kësaj jave”.

“Nuk kemi dashur të dëmtojmë shëndetin e atyre që shkruajnë deklaratat e Kuint-it dhe këtyre në Prishtinë”, ka thënë Daçiq, në një intervistë për televizionin Prva.

Deklarata e ministrit të Jashtëm të Serbisë, bëhet dy ditë pasi vendet e Kuint-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara), përmes një deklarate kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare.

“Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për tërheqjen e njohjeve kundër Kosovës”, është thënë në deklaratë.

Ministria e Serbisë reagon pas vendimit për mos-ekstradim të Tomor Morinës

Ministria e Drejtësisë në Serbi, Nela Kuburoviq.

Ministrja e Drejtësisë në Serbi, Nela Kuburoviq ka thënë se vendimi i Gjykatës Supreme të Maqedonisë së Veriut, për të mos-ekstraduar ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, në Serbi, sepse nuk janë plotësuar kushtet, tregon edhe njëherë se politika ishte mbi ligjin dhe drejtësinë.

“Ky është një turp i madh për të drejtën ndërkombëtare, por është një goditje akoma më e madhe dhe trishtim i madh për familjet e viktimave, të cilat kanë dekada në pritje të drejtësisë për të dashurit e tyre”, është thënë në një deklaratë të kësaj ministrie.

Kuburoviq ka theksuar se Serbia nuk do të heqë dorë nga kërkimi i autorëve të akteve më të rënda kundër njerëzimit, pavarësisht nga origjina e tyre kombëtare ose etnike, “sepse ne ia kemi borxh viktimave dhe familjeve të tyre”.

Gjykata Supreme e Maqedonisë se Veriut ka vërtetuar vendimin e Këshillit Penal për krim të organizuar dhe korrupsion pranë Gjykatës Penale Shkup, se nuk janë përmbushur kushtet për ekstradimin Morinës në Serbi.

Tomor Morina ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, në bazë të një fletarresti të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të Serbisë.

Morina dyshohet nga ana e autoriteteve të Serbisë se para 20 vjetëve, si pjesëtar i UÇK-së, ka bërë krime kundër popullatës civile në Kosovë.

Zjarre pyjore në Greqi, kërcënohen vendbanimet

Komotini

Zjarret pyjore të shkaktuara nga temperaturat e larta në ditët e fundit në Greqi kanë filluar të kërcënojë vendbanimet, raporton AA.

Zjarri i cili filloi në Evia, ishullin më të madh të vendit pas Kretës, nuk është mundur të merret nën kontroll. Në rajon është boshatisur një manastir, ndërsa qytetarët e disa fshatrave që mund të zbrazen janë duke pritur në qendër të fshatrave në rast se ka nevojë të evakuohen.

Në zjarrin që theksohet se filloi pas mesnatës punojnë 75 automjete zjarrfikëse, 6 avionë për shuarjen e zjarrit, 6 helikopterë dhe 227 zjarrfikës. Thuhet se tymi i zi ka arritur deri tek qiejt e kryeqytetit Athinë.

Kryetari i provincës Evia, Fanis Spanos, në deklaratën për mediat greke, theksoi se punimet për shuarjen e zjarrit janë duke vazhduar me vështirësi për shkak të erës së fortë në rajon dhe sipërfaqes së vrazhdë.

“Gjendja e orëve të fundit nuk na lejon që të jemi optimist”, u shpreh ai.

– Zjarret në ishullin Thasos dhe rajonin Thiva

Nga ana tjetër në shumë vende tjera të Greqisë, përfshirë ishullin Thasos, një ndër vendet turistike, si dhe në rajonin Thiva, kanë shpërthyer zjarre për të cilët vazhdojnë punimet e shuarjes.

Në punimet e shuarjes së zjarrit në ishullin Thasos janë angazhuar 4 avionë, 56 zjarrfikës dhe 25 automjete për shuarjen e zjarrit, si dhe qytetarë vullnetarë.

Si pasojë e zjarrit që shpërtheu vitin e kaluar në Attika të Greqisë, humbën jetën 102 persona.

Akademiku kroat Ivo Banac: Situata serbo-shqiptare dhe roli BE-Rusi

Historiani, shkrimtari dhe profesori kroat në universitetin prestigjioz në Amerikë, Yale, Ivo Banac ka deklaruar se Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç nuk ka për të nënshkruar një marrëveshje, e cila të jetë ligjërisht detyruese me Kosovën.

Në një intervistë për të përditshmen malazeze “Pobjeda”,  shkrimtari thekson se arsyeja e dyshimit të tij në këtë aspekt ndërlidhet me interesat e Rusisë në Ballkan dhe shton se BE-ja  nuk ka çfarë t’i ofrojë Serbisë.

Sepse kjo do të nënkuptonte një ndarje me të gjithë politikën e tij dhe një prishje të prioriteteve ruse në Ballkan. Nuk shoh se çfarë mund t’i ofrojë Perëndimi në këmbim, përveç përshpejtimit të anëtarësimit në BE, e cila sërish nuk mund të jetë e detyrueshme për të gjitha shtetet anëtare.

Mbi të gjitha, Vuçiçi nuk u ngut të komentojë mendimin e Nenad Popoviçit, njeriut të Putinit në qeverinë e Vuçiçit, i cili me qetësi deklaroi se Marrëveshja e Brukselit ishte e vdekur dhe se Serbia kishte përfunduar integrimin evropian. Ky ishte një mesazh rus. Moska është kundër marrëveshjes, sepse zgjidhja e përplasjeve mes Serbisë dhe Kosovës nënkupton disfatë të politikës dhe ndikimit rus në Ballkan. Por, kurrë mos thoni ‘kurrë’”, është shprehur ai.

Teksa komentoi vizitën e Presidenti Emmanuel Macron në Beograd, historiani kroat pohon se do të dëshironte të zgjidhte shumë çështje të komplikuara, por shton se ai s’ka durim të merret me detajet e rasteve të caktuara.

Në Paris dhe në Yerevan, ai i pëshpëriti Thaçit për nevojën e një ‘korrigjimi të kufijve’ midis Kosovës dhe Serbisë, dhe në Berlin ai i bërtiti Haradinajt se nuk ishte në gjendje të kërkonte asgjë. Mund të konkludohet se nuk do të ketë një monument të ri mirënjohjeje për Francën në Kalemegdan (Beograd), ndër të tjera, sepse do të dëshmojë se votuesit francezë janë pengesa e tij më e madhe”, u shpreh Banac, raporton “Bota Sot”.

Profesori kroat, Ivo Banac se nuk dëshiron të hyjë në interpretimet e ndryshme të dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, pot thotë se “është e qartë se ndaj tij u bë presion për ta detyruar të hiqte dorë nga negociatat me Serbinë dhe çështjen e kufijve”.

Pra, duket krejt normale që Serbia t’i bëjë presion çdo vendi të vogël në Amerikën Qendrore ose në Oqeani që të heqë dorë nga njohja e Kosovës, por nuk është normale kur Kosova të mbrohet nga kjo politikë e bojkotit dhe e denigrimit, transmeton koha.net. Dhe kështu as për Haradinaj nuk vlen parimi juridik ‘non bis in idem’. Sido që të jetë, negociatat midis Serbisë dhe Kosovës nuk do të vazhdojnë derisa të krijohet një Komision i ri”, theksoi ai.

Vuçiçi: Serbia pret “vjeshtë të vështirë” për çështjen e Kosovës

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se pret një “vjeshtë të vështirë” sa i përket çështjes së Kosovës, sepse ai mendon se “Perëndimi do të përpiqet të shpejtojë zgjidhjen e problemit”.

Vuçiq, megjithatë përsëriti, se zgjidhja nuk do të jetë e mundur nëse Serbia nuk merr asgjë.

“Unë nuk e di se cila është ideja. Ajo që kisha si ide u refuzua nga të gjithë. Askush nuk e pëlqeu. Le të shohim se cila është ideja juaj, sepse ende nuk e kam dëgjuar, përveçse pashë më shumë presion mbi mua. Serbia nuk mund të pajtohet me pavarësinë ( e Kosovës) nëse Serbia nuk merr asgjë”, tha Vuçiq në një intervistë për Televizionin Prva në Serbi.

Ai tha se u ka thënë të gjithë bashkëbiseduesve në bashkësinë ndërkombëtare, se nuk do të ketë zgjidhje nëse dikush mendon se Serbia duhet të poshtërohet.

Duke folur për faktin se si të pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kanë ndryshuar ambasadorët e tyre në Beograd, dhe nëse kjo ka ndonjë lidhje me çështjen e Kosovës, Vuçiq tha se ata “me siguri nuk kanë ardhur për të kontrolluar ndryshimin e klimës në Serbi”.

Vuçiq: John Bolton nuk do të vizitojë Serbinë dhe Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq deklaroi se Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, nuk do të vizitojë Serbinë, siç është shkruar në mediat serbe.

“Boltoni është dashur të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën. Por në Prishtinë janë zgjedhjet, me kë mund të flasë atje?”, ka thënë Vuçiq.

Mediat serbe kanë raportuar se këshilltari Bolton, do të vizitojë Serbinë dhe Kosovën në fund të gushtit ose në fillim të muajit shtator.

Presidenti Vuçiq tha se e gjithë administrata amerikane është në favor të heqjes së taksës për mallrat nga Serbia, por se zyrtari i lartë amerikan, nuk ka se me kë të flasë në Kosovë, për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve.

“Zgjedhjet e shtyjnë dialogun. Ata garojnë me tarifat dhe për marrëzi siç janë dokumentet e udhëtimit. Ne kemi negociuar që një dokument identifikimi mund të përdoret për të hyrë në Kosovë, por një pasaportë mund të shërbejë edhe si dokument identifikimi”, tha Vuçiq.

Institucionet e Kosovës kanë bërë të ditur se do të lejojnë hyrje-daljet nga pikat kufitare me Serbinë vetëm me letërnjoftim serb dhe jo me pasaportat serbe. Sipas tyre kjo është e bazuar në marrëveshjet e arritura në Bruksel për lëvizje të lirë të arritur në mes Prishtinës dhe Beogradit në korrik të vitit 2011.

Greqi, gjendet e vdekur shkencëtarja britanike

Trupi i shkencëtares britanike, që kërkohej prej dy ditësh në Greqi, u gjet në ishullin Ikaria në detin Egje, njoftoi sot televizioni publik grek ERT.

“Shkaqet e vdekjes së astrofizikantes, Natalie Christopher nuk dihen ende”, sipas stacionit televiziv ERT duke lënë të mendohet se bëhet fjalë për një aksident.

Kërcënon shefi i ushtrisë serbe: Kemi mbështetjen e ushtrisë ruse për në Kosovë

Shefi i shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura serbe, Millan Mojsilloviç, ka thënë se Serbia ka mbështetjen e ushtrisë ruse për sfidat në Kosovë.



Milan Mojsilloviç, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura serbe, ka thënë se Rusia është një partner strategjik i Serbisë dhe në këtë mënyrë sipas tij, do të vazhdojë mbështetja e saj.

Mojsilloviç, ka deklaruar se Serbia ka mbështetjen e ushtrisë ruse për sfidat në Kosovë.

Siç shkruan gazeta serbe “Novosti”, Mojsilloviç gjatë një vizite në Moskë, së bashku me zyrtarët e tjerë rusë kishin analizuar në mënyrë të veçantë situatën në Kosovë, transmeton lajmi.net.

Sipas këtij mediumi, Mojsilloviç ka thënë se Kosova është duke bërë lëvizje të njëanshme, lëvizje këto që sipas tij, po e rrezikojnë sigurinë.

“Ne kemi marrë mbështetje nga udhëheqja ushtarake ruse se si po veprojmë në lidhje me Kosovën. Sigurisht, ne jemi veçanërisht të interesuar për sigurinë e serbëve, jo vetëm në veri të Kosovës, por në të gjithë krahinën”, u shpreh ai. tha ai.

Theksojmë se Serbia dhe Rusia i kanë forcuar dukshëm marrëdhëniet e tyre në fushën e sigurisë.

Ditë më parë Rusia i ka dhuruar ushtrisë së Serbisë disa autoblinda, ndërkaq ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka paralajmëruar edhe blerjen e disa helikopterëve ushtarakë nga Rusia.

Gjuriq: Nuk heqim dorë nga ndjekja penale e kriminelëve më të dhunshëm shqiptarë

 

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se “Serbia ka qenë vazhdimisht e vendosur në ndëshkimin e krimeve të luftës, pavarësisht kombësive”.

Duke komentuar faktin se gjykatat në Serbi kanë nisur t’iu dërgojnë thirrje për shërbimin e dënimeve me burg disa shqiptarëve në Kosovë, Gjuriq tha për Radio Televizionin e Serbisë se vendi i tij “refuzon fuqishëm të heqë dorë nga ndjekja penale”.

“Nëse dikush nga separatistët ka menduar se është përjashtuar nga drejtësia, ai duhet ta dijë se krimi i luftës nuk vjetrohet. Për dallim prej trye dhe disa të tjerëve, në Serbi ekziston një ndarje e qartë e pushtetit dhe nuk dua të ndërhyj në punën e gjyqësorit në kuptimin politik. Si qytetar mund të them se jam krenar që nuk heqim dorë nga ndjekja penale e kriminelëve më të dhunshëm shqiptarë”, tha Gjuriq.

Gjykata Themelore në Leskovc të Serbisë konfirmoi të enjten për Radion Evropa e Lirë se ka filluar dërgimin në Kosovë të thirrjeve për disa persona për të vuajtur dënimin me burg në Serbi.

Në mesin e reagimeve në Kosovë, Ministria e Jashtme tha se ky është edhe një provokim i Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës, që bëhet në sy të bashkësisë ndërkombëtare.

Rumania e bllokon, Hungaria lejon kalimin e dërgesës ushtarake ruse për Serbinë

Jela Franceschi

Duke inspektuar 10 automjetet e blinduara ruse të mbërritura rishtas në një bazë të ushtrisë serbe në Nish, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç falënderoi Presidentin rus Vladimir Putin për “forcimin” e ushtrisë së Serbisë.

Të tranportuara në Serbi me avionë rusë përmes hapësirës ajrore hungareze, grupi i automjeteve të kundërzbulimit BRDM-2 është pjesë e një dërgese shumë më të madhe.

Pjesa e mbetur e kësaj dërgese, janë rreth 20 automjete të tjera të kundërzbulimit dhe dhjetra tanke të përmirësuara të epokës sovjetike T-72, që u bllokuan në kufirin rumun. Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme të Rumanisë, zyrtarët e doganës rumune nuk lejuan kalimin e tyre përmes lumit Danub për shkak të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë në lidhje me veprimet e saj në Ukrainë.

Megjithëse Serbia shprehu zhgënjim në lidhje me pjesën e bllokuar të dërgesës, Rumania, anëtare e BE-së dhe NATO-s, thjesht po zbatonte kufizimet tregtare të mandatuara nga Bashkimi Evropian.

Hungaria, njëkohësisht anëtare e BE-së dhe e NATO-s, mbrojti vendimin e saj për të lejuar kalimin e pajisjeve ruse nëpër hapësirën e saj ajrore pavarësisht sanksioneve evropiane ndaj Rusisë.

Duke iu drejtuar gazetarëve në Budapest të mërkurën, shefi i kabinetit të Kryeministrit hungarez Viktor Orbán, Gergely Gulyás, tha se dërgesa ishte miratuar sepse ngarkesa do të kalonte nëpër hapësirën ajrore hungareze në një aeroplan civil, e jo ushtarak.

“Natyrisht që ne njoftohemi për hyrjen e një aeroplani civil në hapësirën ajrore hungareze, por ky ishte një njoftim në përputhje të plotë me protokollin, i cili thjesht duhet të pranohet”, tha Gulyás, duke shpjeguar se për tranzitet jo ushtarake në hapësirën ajrore nuk ka nevojë për një leje të veçantë.

I pyetur nëse Hungarisë do t’i kërkohet llogari për shkeljen, një zëdhënës i BE-së tha: “Ne kemi i parë njoftimet. Pa komentuar mbi specifikat, zbatimi i masave kufizuese të BE-së është përgjegjësi e vendeve anëtare të BE-së”.

Zyrtarët e NATO-s, gjithashtu, nuk thanë shumë në lidhje me përpjekjet e fundit të Rusisë për të ndihmuar Serbinë të forcojë ushtrinë e saj.

“NATO-ja respekton plotësisht të drejtën sovrane të të gjitha vendeve, përfshirë Serbinë, për të vendosur për marrëveshjet e tyre politike dhe të sigurisë”, tha një zëdhënës i NATO-s për Zërin e Amerikës. “Në të njëjtën kohë, NATO dhe Serbia janë partnerë. Për shembull, Serbia ishte organizatore e stërvitjes tonë më të madhe të urgjencës civile, që ndihmoi aleatët e NATO-s, Serbinë dhe partnerët e tjerë, të rrisin gatishmërinë për trajtimin e fatkeqësive natyrore, si përmbytjet dhe zjarret”.

Zëdhënësi shtoi se NATO ka punuar me Serbinë për të reformuar forcat dhe institucionet e sigurisë, “trajnimet e NATO-s gjithashtu ndihmojnë ushtarët serbë të kontribuojnë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare”.

“Ne kemi investuar miliona euro për të ndihmuar Serbinë të shkatërrojë mbi 200 tonë municion”, tha zëdhënësi.

Serbia, e cila pretendon se është neutrale në aspektin ushtarak, tashmë ka marrë gjashtë avionë luftarakë MiG-29 nga Rusia dhe po negocion blerje shtesë të armëve nga Rusia, përfshirë helikopterë luftarakë dhe transporti, si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Disa ekspertë thonë se forcimi ushtarak i Serbisë, i mbështetur nga Rusia, kërcënon paqen në rajonin e brishtë politik të Ballkanit.

“Unë përshendesë vendimin e Rumanisë për zbatimin e embargos tregtare të BE-së ndaj Rusisë”, i tha Zërit të Amerikës, Jorge Benitez, një ekspert i NATO-s në organizatën Këshilli Atlantik.

“Kjo është e rëndësishme dhe një shenjë shumë e nevojshme e unitetit evropian dhe shtylla kurrizore kundër përpjekjeve të Rusisë për të militarizuar dhe destabilizuar më tej Ballkanin,” tha ai. “Shtetet e tjera të BE-së duhet të ndjekin shembullin e Rumanisë dhe të përmbushin angazhimet e tyre ndaj demokracive evropiane. Lejimi i Rusisë për të lëvizur më shumë tanke në Evropën juglindore është veprim i rrezikshëm dhe kërcënon sigurinë kombëtare të të gjitha demokracive në rajon”.

Serbia zyrtarisht dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por nën presionin politik dhe propagandues nga Moska, Beogradi është duke rrëshqitur vazhdimisht drejt Kremlinit dhe qëllimit të tij për t’i mbajtur vendet e Ballkanit jashtë NATO-s.

Në vitet 1990, gjatë luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, Serbia ishte në luftë me fqinjët e saj Kroacinë, Bosnjen dhe Kosovën.

Duke folur në ceremoninë e pranimit të automjeteve të blinduara të hënën në bazën e ushtrisë serbe në Nish, që ndodhet rreth 88 kilometra në lindje të kufirit të Kosovës, ambasadori i Rusisë në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko tha se Moska “është e gatshme dhe gjithmonë do të jetë e gatshme për bashkëpunim ushtarak dhe teknik me Serbinë”.

Për Presidentin Vuçiç, dukej se pajisjet ushtarake ishin elementi më i rëndësishëm se gjithçka tjetër.

“Gjëja më e rëndësishme për ne është që ne kemi arritur t’i transportojmë automjetet në Serbi”, tha para gazetarëve Presidenti Vuçiç. “Është puna jonë se si dhe në çfarë mënyre arritën ato”, shtoi ai.

Zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit ende nuk u janë përgjigjur kërkësave të Zërit të Amerikës për një reagim mbi këtë çështje.

Presidentja kroate i përgënjeshtron deklaratat e pretenduara për Bosnjën

Presidentja e Krocisë, Kolinda Grabar Kitaroviq, mohoi se ka deklaruar se Bosnja dhe Hercegovina është shtet i paqëndrueshëm nën kontrollin e islamit militant.

Gazeta izraelite, Jerusalem Post, ka raportuar se Grabar Kitaroviq, e cila po viziton Izraelin ka thënë se Bosnja dhe Hercegovina “është shumë e paqëndrueshme dhe se në disa aspekte e kanë marrë përsipër njerëz të lidhur me Iranin dhe organizata terroriste”.

Po ashtu sipas Jerusalem Post, Grabar Kitaroviq ka deklaruar se Bosnja “është nën kontrollin e islamit militant, i cili është dominues në përcaktimin e qëndrimeve”.

E pyetur nga gazetarët nëse këto deklarata janë të vërteta, Grabar Kitaroviq u përgjigj:

“Absolutisht jo”.

Ajo ka thënë t’iu ketë shprehur autoriteteve izraelite dëshirën e saj për ta parë Bosnjën dhe vendet e tjera të rajonit të anëtarësuara në Bashkimin Evropian.

“Nuk kam dhënë intervista dhe nuk u kam dhënë deklarata gazetarëve përveç dy konferencave për shtyp”, tha presidentja kroate.

E pyetur të komentojë reagimet e ashpra të Bosnjës pas tekstit në Jerusalem Post, Grabar Kitaroviq tha:

“Këto janë komente mbi komentet e një gazetareje. Po e përsëris, nuk e kam thënë atë”.

Më herët anëtari kroat i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Zhelko Komshiq, tha se Grabar Kitaroviq po vazhdon “aktivitetet propaganduese në dëm të Bosnjës, duke paraqitur gënjeshtra brutale”.

Siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, kjo nuk është hera e parë që Grabar Kitaroviq ka bërë vlerësime të ngjashme gjatë paraqitjeve publike.

Dy vjet më parë ajo ka thënë se në Bosnje dhe Hercegovinë kthehen mijëra luftëtarë nga vatrat e luftës në Siri.

Rrjedhimisht sipas saj, në Bosnje armatosen myslimanë selafi dhe mijëra të tillë ndodhen në kufi me Kroacinë, përkatësisht me Bashkimin Evropian.

Grabar Kitaroviq: Bosnja kontrollohet nga islami militant

Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviq në Izrael

Bosnje e Hercegovina kontrollohet nga islami militant, i cili është dominues në përcaktimin e agjendave, ka thënë presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviq, gjatë vizitës në Izrael.

“Bosnje e Hercegovina është shumë e paqëndrueshme, dhe në disa aspekte udhëhiqet nga njerëz që kanë lidhje me Iranin dhe organizatat terroriste”, deklaroi presidentja kroate, pas takimit me presidentin e Izraelit, Reuven Rivlin.

Menjëherë pas kësaj deklarate, reaguan anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Zhelko Komshiq dhe Shefik Xhaferoviq, të cilët theksuan se presidentja kroate bën pretendime pa asnjë fakt.

Në takimin mes presidentes kroate dhe homologut të saj izraelit, është diskutuar edhe për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe luftimit të terrorizmit, shkruan The Jerusalem Post.

Kitaroviq vuri në dukje, se vendi i saj po vuan nga një problem migrantësh, që nuk është krejtësisht si ai i pjesës më të madhe të Evropës. Ajo bëri dallimin midis migrantëve dhe refugjatëve, duke thënë se ndërsa Kroacia ishte e gatshme të jepte azil për refugjatët, migrantët – që kërkojnë një mënyrë jetese të përmirësuar – nuk duhet të jenë në kundërshtim me kufijtë ndërkombëtarë.

Presidenti Rivlin e ftoi Kitaroviqin që të kthehej në fund të janarit 2020 në Izrael, ku ai do të ishte nikoqir i liderëve botërorë për të përkujtuar 75 vjetorin e çlirimit të Aushvicit. Ai i tha se Izraeli dhe Kroacia “po shikojnë drejt të ardhmes pa e harruar të kaluarën”.

Serbia e ka dorëzuar kërkesën për ekstradimin e Tomor Morinës

Isuf Kadriu

Serbia e ka paraqitur pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, kërkesën për ekstradimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Tomor Morina, i arrestuar nga policia maqedonase, në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë.

Detaje tjera mbi kërkesën e palës serbe nuk jepen, ndërkohë që lidhur me këtë kërkesë duhet të vendosë Ministria e Drejtësisë në Shkup.

Këshilli i Gjykatës Penale për krim të organizuar në Shkup, ka refuzuar të premten kërkesën e palës mbrojtëse për lirimin nga paraburgimi 30-ditor të Tomor Morinës.

Avokati i Morinës, Naser Raufi për Radion Evropa e Lirë, ka shprehur besimin për një epilog pozitiv në procedimin e mëtejmë lidhur me këtë rast.

“Po punohet shpejt në këtë rast dhe pasi Beogradi të dërgojë dokumentacionin, unë do t’i shoh së bashku me Tomorin, por unë nuk besoj se do të dërgojnë diçka mbi pretendimet e tyre. Në fund vendos ministri i Drejtësisë, pra qeveria. Mendoj se punët janë mirë”, ka deklaruar avokati Raufi.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane i Maqedonisë së Veriut,, Bujar Osmani e ka qujtur të “veprim të patolerueshëm” arrestimin e Morinës duke kërkuar nga institucionet lirimin e menjëhershëm të tij.

“Morina duhet të lirohet. Është vërtetë e tmerrshme kjo që ka ndodhur, sepse kjo ndikon në marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Kërkesa e Serbisë vlen për qytetarët e saj, ndërsa ne qytetarët e Kosovës i kemi pranuar si qytetarë të Kosovës”, ka deklaruar Osmani.

Kryeministri, Zoran Zaev ka thënë se në këtë rast do të veprohet në përputhje të plotë me ligjet vendore dhe ndërkombëtare.

Arrestimi i Tomor Morinës ka nxitur reagime të shumta në Prishtinë e cila ka kërkuar nga Shkupi lirimin e menjëhershëm të Morinës, si dhe të hedhë poshtë “urdhrat politike për arreste të lëshuara nga Beogradi”.

Sputnik anulon programin, pas intervistës me kritikun e Erdoganit

Shërbimi turqisht i radios Sputnik i financuar nga Rusia në Turqi anuloi një program pasi tre gazetarë turq të tij intervistuan një kritik të njohur të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Intervista e 19 korrikut me ish-kryeministrin Ahmet Davutoglu bënte fjalë ndër të tjera mbi përpjekjet e tij për të nisur një parti të re si sfidë ndaj partisë AK të zotit Erdogan.

Dy herë në javë në radio Sputnik turqisht, gazetarët Yavuz Oğhan, Akif Beki dhe Ismail Saymaz kishin një program me telefonata të titulluar “Soylemesi Bizden”. Fillimisht ata kërkuan ta transmetonin intervistën për emisionin e tyre, por nuk morën miratim. Pastaj Oğhan e postoi atë në kanalin e tij në YouTube dhe Sputniku ua anuloi kontratat.

“Një punë e mirë nuk mbetet e pandëshkuar në Turqi,” u shpreh Oğhan në Twitter.

Masat e Erdoganit ndaj mediave janë forcuar pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit në korrik 2016 dhe reformave kushtetuese që pasuan dhe që konsoliduan pushtetin e tij. Gazetat e opozitës janë mbyllur dhe qindra gazetarë janë burgosur.

Shërbimi radio i gjuhës turke Sputnik, pjesë e Agjencisë ruse të medias të financuar nga Moska, operon në Turqi prej gjashtë vjetësh.

Anulimi i programit vjen pas një raporti këtë muaj nga një agjenci kërkimore pro-qeveritare turke që kritikoi ashpër organizatat ndërkombëtare të medias, duke përfshirë Sputnikun, për atë që ajo e quante njëanshmëri kundër qeverisë. za

Sizmiologu grek paralajmëron një tërmet apokaliptik në Ballkan – Reagon presidenti Meta

Drejtuesi i institutit Gjeodinamik të Athinës, sizmiologu Akis Tselentis, ka paralajmëruar rrezikun se i gjithë rajoni i Ballkanit mund të goditet nga një tërmet apokaliptik me një magnitudë të lartë.

Shqetësimin e sizmiologut e kanë publikuar mediat greke, teksa shqetësimi mbi një tërmet të përmasave të mëdha është adresuar dhe nga Presidenti Meta. Kreu i Shtetit i ka dërguar një letër pak ditë më parë kryeministrisë në lidhje me adresimin e këtij shqetësimi.

Letra është siguruar nga Report tv dhe në të shkruhet:

Të nderuar

Nëpërmjet medias ndërkombëtare dhe kombëtare jam informuar mbi paralajmërimin për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin. Paralajmërimi ka ardhur nga sizmiologu i njohur, zoti Akis Tselentis, drejtor i Institutit Gjeodinamik Obsarvatori Kombëtar i Athinës.

Sizmiologu Tselentis ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballaknin, që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës.

Për shkak të karakteristikave të veta sizmike vendi ynë është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Europë. Prandaj Shqipëria është një vend i kërcënuar nga kjo dukuri natyrore.

Për sa më sipër, kërkoj nga ana juaj të informohem mbi:

Institucionet përgjegjëse, a kanë kontaktuar me sizmiologun Tselentis dhe institucionet homologe. të rajonit lidhur me të dhënat e tyre për paralajmërime të tilla?

Cilat janë kapacitetet tona për përballimin dhe masat e marra nga ana juaj , nëse vendi ynë do të goditet nga një tërmet i përmasave të tilla.

Çfarë masash janë marrë apo do të merren për të reaguar në kohë dhe për të minimizuar pasojat e mundshme në nivel qëndron dhe vendor?

Nëse e gjykoni të domosdoshme, jam i gatshëm të mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare menjëherë qoftë dhe vetëm për këtë çështje, pasi çdo nënvlerësim i situatës mund të jetë me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve në radhë të parë.

Presidenti i Republikës

Ilir Meta

Vuçiçi: Dërgesa ushtarake ruse arrin në Serbi, me gjithë kundërshtimet e disave

Nish, 29 korrik, 2019.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pasi mori pjesë në ceremoninë e pranimit të dhjetë automjeteve të blinduara nga Rusia, tha se deri në fund të vitit shteti rus do të dërgojë edhe armë të tjera në Serbi, të cilat tashmë janë blerë ose janë dhënë donacion.

I pyetur nga gazetarët në Nish nëse është e vërtetë që Rumania, javën e kaluar, ka ndaluar transportimin e dërgesave ushtarake ruse në Serbi, Vuçiq konfirmoi se ato janë ndaluar përmes rrugës së Danubit.

Agjencia e lajmeve AP raportoi më 26 korrik se Rumania ka bllokuar dërgesën e tankeve luftarake ruse dhe të automjeteve të blinduara në Serbi, për shkak të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

Vuçiq nuk tregoi se si donacioni i automjeteve të blinduara ruse iu dorëzua Serbisë, por tha se kjo është bërë “në përputhje me ligjin dhe kontratën e lidhur me atë vend”.

“Nuk do të flisja për këtë. I kemi respektuar normat e së drejtës ndërkombëtare dhe gjithçka është bërë në përputhje me marrëveshjen me Rusinë”, tha Vuçiq pas pranimit zyrtar të automjeteve të blinduara BRDM-2MS në Nish.

“Ato kanë ardhur me gjithë kundërshtimet e disave. Këto na duhen për të ruajtur sovranitetin… Nuk kemi plane për pushtim, këto na duhen vetëm për të mbrojtur vendin tonë”, tha Vuçiq, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi më 27 korrik se marrëveshja ushtarake-teknike me Rusinë “po zbatohet në afatet e dakorduara”.

Vuçiq e falënderoi Rusinë për donacionin dhe presidentin rus, Vladimir Putin.

“Tani është moderne të flitet kundër Putinit. Unë nuk dua të jem modern dhe popullor; unë dua të jem falënderues ndaj Putinit”, tha Vuçiq.

Ai njoftoi se deri në fund të vitit në Serbi do të mbërrijnë edhe katër helikopterë luftarakë Mi-35, tre helikopterë transporti Mi-17, si dhe tanke të tjera BRDM-2MS dhe T-72 nga Rusia.

Aktivitet vullkanik në Etna

Një pamje spektakolare ndriçoi mbrëmë qiellin mbi ishullin e Siçilisë.

Vullkani më i lartë në Evropë, në Mali Etna, u zgjua mbrëmë dhe lëshoi llavë, duke kënaqur e mahnitur spektatorët, ndërkohë që autoritetet vëzhgonin situatën për të garantuar që askush nuk do t’i afrohej zonave të rrezikshme.

Vullkani me lartësi 3300 metra shpërthen disa herë në vit, duke gulçuar me zhurmë e duke lëshuar llavë por pa shkaktuar dëme. Për herë të fundit Mali Etna pati një shpërthim të fuqishëm vullkanik në vitin 1992.

Rumania bllokon dërgesat ushtarake nga Rusia në Serbi

Aeroplan i llojit, MiG-29, foto nga arkivi.

Rumania ka njoftuar se ka bllokuar një dërgesë me pajisje ushtarake nga Rusia në Serbi më herët gjatë këtij muaji, për shkak të sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës.

Në një deklaratë të lëshuar më 26 korrik, ministria e Jashtme e Rumanisë ka thënë se nuk ka mundur të miratojë një leje për kalim në territorin e këtij shteti, bazuar në ndalesat e vëna më 2014.

Rusia po përballet me sanksionet perëndimore, për shkak të aneksimit të Krimesë nga Ukraina në mars të vitit 2014, si dhe për shkak të mbështetjes ndaj separatistëve në lindje të Ukrainës.

Nga konflikti në lindje të këtij shteti deri më tani kanë vdekur 10,300 persona.

Sipas agjencisë së lajmeve, Associated Press, zyrtarët serbë janë ankuar më herët gjatë këtij muaji se Rumania, shtet anëtar i NATO-s, ka ndaluar dërgesën e 60 tankeve ruse dhe mjeteve tjera të armatosura, përmes Lumit Danub për në Serbi.

Mirëpo ministria ruse e Mbrojtjes ka mohuar nisjen e kësaj dërgese në Serbi përmes Danubit.

Në një deklaratë, të cilën e ka cituar Interfax më 26 korrik, ministria e Jashtme ruse ka thënë se këto raportime janë “absolutisht të rreme”.

Rusia ka furnizuar Serbinë me pajisje ushtarake, duke rritur shqetësimet në rajonin e Ballkanit.

Deri tani, Serbia ka pranuar gjashtë aeroplanë luftarakë të llojit, MiG-29 nga Rusia. rel

Maqedonia Veriore miraton projekt-ligjin për gjuhën shqipe

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka kaluar ne mbledhjen e fundit projekt–ligjin për themelimin e Inspektoratit për zbatimin e Gjuhëve, saktesisht gjuhës shqipe.



Me këtë ligj rregullohet mënyra e inspektimit, përzgjedhja e Inspektorëve, por parashikohet edhe ulja e gjobave në rastet kur nuk zbatohet përdorimi i gjuhës shqipe.

Sipas nenit 22 parashikohen gjobat 300 deri ne 500 euro për të gjitha institucionet qe nuk ju mundësojne qasje inspektorëve ne materialet që duhet të inspektojnë, shkruajnë mediat në shqip në Maqedoninë Veriore.

Ndërsa gjoba nga 100 deri ne 200 euro për drejtuesit e atyre institucioneve. Ndërkohë që për të gjitha institucionet që nuk do të respektojnë dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve do të shqiptohen gjobat e parashikuara në ligjin e gjuhëve dhe që variojnë nga 4000 deri në 5000 euro për personat juridike dhe 30% e kësaj shume për drejtuesin e institucionit.

Inspektoratin do të udhëheqë drejtori, i cili zgjidhet përmes një konkursi publik për një mandat 4 vjeçar, me të drejtë rizgjedhje.

Në Maqedoninë e Veriut arrestohet ish-pjesëtari i UÇK-së

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka dënuar arrestimin shtetasit të Kosovës, Tomor Morina, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga ana e policisë së Maqedonisë së Veriut.

Morina është arrestuar në bazë të një fletarresti të lëshuar nga INTERPOL-i me kërkesë të Serbisë.

“Ky është edhe një tjetër shembull i abuzimit politik që kryen Serbia përmes këtyre kërkesave për arrest”, ka thënë shefi i kabinetit të ministrit të Jashtëm të Kosovës, Jetlir Zyberaj.

Ai tha se institucionet e Kosovës do t’i drejtohen menjëherë Bashkimit Evropian me kërkesë që të parandalojë raste të tilla.

“Ne jemi në kontakt të ngushtë me autoritetet në Shkup dhe besojmë se rasti do të zgjidhet sa më parë në bazë të frymës së bashkëpunimit që kemi me Maqedoninë e Veriut”, ka shtuar ndër të tjera Zyberaj.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut nuk ka dhënë detaje lidhur me statusin e tij aktual, por ka njoftuar se ndaj shtetasit kosovar do të respektohen të gjitha procedurat ligjore.

Dënohet ish-lobisti i Turqisë në SHBA

Bijan Rafiekian, ka qenë partner biznesi me ish-këshilltarin për siguri kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Michael Flyn.

Ai u gjet fajtor dhe u dënua për konspiracion të lobimit për Turqinë.

Rafiekian, bashkëthemelues i kompanisë “Flynn Intel Group Consultacy” , u akuzua në dhjetor për dyshimin në lidhje me lobimin në emër të Turqisë.

Ai u akuzua gjithashtu, pasi është përpjekjur të bind qeverinë e SHBA-së që të ekstradojë Fetullah Gulen, një klerik turk, të cilin Ankaraja fajëson për organizimin e përpjekjes së grusht-shtetit të vitit 2016.

Bashkëpunetori i tij, Michael Flynn shkurtimisht mbajti pozitën e fuqishme të këshilltarit të sigurisë kombëtare, derisa dha dorëheqjen në vitin 2017, pasi u zbulua se ai e mashtroi nënpresidentin amerikan, Mike Pence, për kontaktet me ambasadorin e atëhershëm të Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Sergei Kislyak.

Në dhjetor të vitit 2017, Flynn u deklarua fajtor lidhur me akuzat për gënjeshtra, dhe ai pranoi të bashkëpunonte me organet për zbatimin e ligjit.

Flynn bashkëpunoi me Këshilltarin Special Robert Mueller, i cili hetoi nëse Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe ndërveprimet e mundshme midis bashkëpunëtorëve të Trumpit me zyrtarët rusë.

Në mënyrë të veçantë, Flynn njoftoi Muellerin për disa përpjekje për të penguar hetimin.

Në një version të redaktuar të gjetjeve të Mueller, raporti i tij konfirmoi përfundimet e inteligjencës amerikane të ndërhyrjes ruse dhe përmendi mungesën e provave të komplotit nga ana e presidentit, Trump, por nuk e liroi atë nga përgjegjësia.

Qeveria turke ka mohuar çdo përpjekje për të shmangur rregullat e SHBA-së në lidhje me lobistët e qeverive të huaja. rel

Mediat greke shpërndajnë lajmin e rrejshëm se Erdogani ka vdekur

Një lajm i shpërndarë nga mediat greke dhe më pas në rrjetet sociale ka bërë që të çorientohen lexuesit e mbarë botës.

Sipas lajmit, Erdogan ka vdekur si shkak i një ataku në zemër.

“Erdogan ka vdekur për shkak të një ataku në zemër. Pavarësisht ndihmës së mjekëve, presidenti turk nuk arriti të mbijetojë”, thuhej në lajmin fillestar, përcjell BalkanWeb.

Pas kësaj, kurdët besohet se kanë hyrë në një faqe në “Wikipedia” dhe kanë shtuar informacion se Erdogan ka ndërruar jetë.

Mirëpo, menjëherë mediat serioze trajtuan këtë lajm dhe duke thirrur burime presidenciale, ato dolën në përfundimin se gjithçka ishte një thashetheme.

Izraeli hyri menjëherë në faqen hebraike të Wikipedia-s të Erdogan, ndryshoi të dhënat dhe nuk lejoi qasje në të.

Më pas, mediat më serioze botërore thanë se lajmi është i pavërtetë dhe nuk ka baza e se kreu i shtetit turk është me pushime.

Emri i Erdoganit ka rezultuar ndër më të kërkuarit në “Google” pas këtij lajmi fals bombastik.

Rexhep Tajip Erdogan ka lindur më 26 shkurt 1954 dhe është presidenti i 12-të i Turqisë që nga viti 2014.

Mediat serbe: Putini mesazh urgjent për Kosovën, Vuçiçi e merr nesër

Ambasadori i ri i Rusisë në Serbi, Aleksander Botsan-Kharchenko, nesër do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilit do t’i dorëzojë një mesazh të presidentit rus Vladimir Putin, që ka të bëjë me Kosovën.

Ambasadori rus, siç njofton gazeta serbe “Blic”, të hënën për herë të parë do ta takojë presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Duke u thirrur në burime diplomatike, gazeta serbe shkruan se “Kharchenko do t’ia dorëzojë Vuçiçit një porosi urgjente të presidentit rus Vladimir Putin”.
“Mesazhi ka të bëjë me Kosovën”, shkruan gazeta.

Nga fillimi i karrierës së tij diplomatike, ambasadori i ri rus Kharchenko ka qenë i përfshirë në proceset diplomatike që kishin të bëjnë me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, kurse më vonë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Turqi, konfiskohen kartëmonedha një milion dollarëshe

Uşak

Gjatë një aksioni në Uşak, Turqi, janë konfiskuar disa kartëmonedha prej një milion dollarë.

Ekipe të xhandarmërisë organizuan aksion në Banaz pas një lajmërimi për trafikim të mundshëm të parave.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e Y.K (30) janë gjetur kartëmonedha prej një milion dollarë.

Pjesëtarët e xhandarmërisë, për të vërtetuar nëse bëhet fjalë për falsifikim ose jo, kartëmonedhat e konfiskuar do t’i dërgojë në Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë.

Gjatë operacionit është arrestuar Y.K.

Kartëmonedha prej një milion dollarësh në SHBA janë prodhim i simbolit të “ëndrrës amerikane”. Edhe pse nuk përdoret si para reale, ajo ka një vlerë të madhe në mesin e koleksionistëve. aa

Vuçiçi: Haradinaj shkon në Hagë që të kthehet si hero

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se Beogradi i pret pa ndonjë eufori zhvillimet në Prishtinë, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt.

Gjatë një konference për media të mbajtur në Beograd, Vuçiq tha se i kupton edhe pritjet e njerëzve për vendosjen e drejtësisë për atë që ka ndodhur në territorin e ish-Jugosllavisë.

“E kuptojmë, jo gëzimin, por njëfarë kënaqësie te pjesëtarët e popullit tonë për shkak të ftesës dërguar Haradinajt për intervistë dhe faktin që ai është i dyshuar për krime lufte”, tha Vuçiq, duke shtuar se nuk ka vend për eufori.

Dorëheqja e Haradinajt, sipas presidentit serb është një veprim politik për të fituar edhe më shumë popullaritet në mesin e, siç tha ai, “ekstremistëve në Kosovë” duke u promovuar si trim që lufton për ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës.

Presidenti serb ka rikujtuar se Dhomat e Specializuara në Hagë të formuara për të iniciuar rastet e dyshuara për krime lufte, funksionojnë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, të cilën Serbia nuk e njeh.

Haradinaj, theksoi Vuçiq, do të shkojë në Hagë javën e ardhshme, do të qëndrojë atje një apo dy ditë dhe do të provojë “të kthehet si hero”, marrë parasysh faktin se Kosova, sipas Vuçiqit do të shkojë në zgjedhje në shtator apo në tetor.

E gjithë kjo sipas tij, mund të jetë një skenar që në Kosovë të vijë në pushtet një elitë politike që angazhohet për një “Shqipëri të madhe”.
Në këtë konferencë, Vuçiq tha se Serbia megjithatë, vazhdon të mbetet e përkushtuar “për vazhdimin e dialogut me Prishtinën”. rel

Pas fjalimit në serbisht, Macron jep mesazhe për paqe në gjuhën shqipe

Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ka qëndruar në Beograd për një vizitë dy ditore që nga 14 korriku.

Ai ka zhvilluar të hënën një takim me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, me të cilin kanë diskutuar për shumë çështje, ndërsa i një rëndësie të veçantë ka qenë diskutimi për gjetjen e një zgjidhje për problemin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Macron në konferncën për media bashkë me Vuçiqin, dhe më pas në një fjalim të mbajtur në Kalemegdan, është zotuar që së bashku me kancelaren gjermane, Angela Merkel, do të ristartojë negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

E fjalimin e mbajtur në Kalmegdan, Macron e ka publikuar të martën me një përshkrim në gjuhën frënge, ndërsa të njëjtin e ka ngarkuar sot përsëri në llogarinë e tij zyrtare me përshkrim në gjuhën shqipe, ku thotë se Evropa duhet të jetë e bashkuar për të ndërtuar paqe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Duhet të ndërtojmë së bashku paqen në mes Serbisë dhe Kosovës. Mesazhi im nga Beogradi”, thuhet në përshkrimin e sotëm të videos së publikuar nga presidenti francez.

Përveç tjerash në këtë fjalim Macron bënte thirrje që të dy palët të tregohen të vendosur dhe guximshëm, për të gjetur një kompromis dhe një zgjidhje inteligjente për problemin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo betejë që do ta bëjmë së bashku, kjo luftë për kompromis, për gjetjen e një zgjidhjeje inteligjente ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është betejë e vështirë por ju keni një president kurajoz, i cili ka vendosur të ec tutje dhe nga ju do të kërkohet të jeni popull i guximshëm, sikurse do të duhet të jenë kurajoz edhe kosovarët, duke bërë kompromise.Do na kërkohet të gjithëve të jemi kurajoz dhe të veprojmë si evropianë. Dhe, sepse besoj thellësisht që Serbia është në Evropë, që Evropa nuk do jetë vetvetja derisa Serbia të mos integrohet brenda saj. Duhet ta gjejmë së bashku këtë zgjidhje”, kishte thënë presidenti i Francës.

Ky postim i Macron në gjuhën shqipe, vjen pas fjalimit të tij që e ka mbajtur në gjuhën serbe në Kalamegdan. Kjo mbase për të ruajtur balancet, pasi që së bashku me Merkelin kanë marrë në dorën dialogun dhe gjetjen e një zgjidhje finale Prishtinë-Beograd./GazetaExpress/

Vulin: Ushtria e Kosovës, kërcënimi më i madh për sigurinë në Ballkan

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandër Vulin, tha se bashkëpunimi i ushtrisë së Serbisë me NATO-n, nën Programin e Partneritetit për Paqe, është një “nivel optimal” i marrëdhënieve reciproke.

Në një takim në Beograd me komandantin suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, Tod Wolters, Vulin tha se kërcënimi më i madh për sigurinë në Ballkan është formimi i ushtrisë së Kosovës dhe “përpjekjet për formimin e Shqipërisë së madhe”, thuhet në komunikatën e Ministrisë serbe të Mbrojtjes, që e transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

“Për Serbinë, KFOR-i [mision paqeruajtës i NATO-s] është i vetmi formacion i ligjshëm i armatosur në Kosovë dhe popullata serbe e sheh atë si garantuesin e vetëm të sigurisë. Andaj, për Serbinë është shumë shqetësuese kur zvogëlohet kapaciteti ose roli i KFOR-it”, tha Vulin.

Wolters vlerësoi, siç thuhet në komunikatë, kontributin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura të Serbisë në operacionet shumëkombëshe, nën mandatin e Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara.

Kuvendi i Kosovës, në dhjetor të vitit të kaluar, ka miratuar ligjet, me të cilat mundësohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës.

Presidenti i Maqedonisë Veriore i prerë: “Ndryshimi i kufijve mund të sjellë edhe konflikte të armatosura”

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, thotë se ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë mund të sjellë edhe konflikte të armatosura.

 

“Kufijtë duhet të qëndrojnë aty ku janë. Çdo opsion tjetër mund të krijojë një efekt domino, që mund të dëmtojë disa vende në rajon, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut. Ndryshimet kufitare mund të çojnë madje edhe në konflikte të armatosura”, tha ai gjatë një shtypi nga Sllovenia

Marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Kosovës janë tensionuar që nga viti 2008, kur Prishtina, me mbështetjen e vendeve perëndimore, shpalli pavarësinë nga Serbia.

Serbia dhe Kosova u zotuan, në vitin 2013, për një dialog të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian, që synon zgjidhjen e një sërë dallimesh, duke përfshirë mosmarrëveshjet territoriale, por pak përparim është bërë në këtë drejtim.

Bullgaria thotë se sulmet masive kibernetike u bënë nga Rusia

Ministri i Brendshëm i Bullgarisë, Mladen Marinov

Një sulm masiv i hakerave në Bullgari nëpërmjet një faqeje ruse, mund të jetë i lidhur me vendimin e Sofjes, për të blerë avionë ushtarakë nga Shtetet e Bashkuara, tha ministri i Brendshëm i Bullgarisë.

Ministri, Mladen Marinov, u tha gazetarëve në Sofje se të dhënat personale financiare të rreth 5 milion bullgarëve dhe punëtorëve të huaj që banojnë u publikuan në media nga një email me bazë në Rusi, pasi sulmit kiberentik në sistemin e Agjencisë Kombëtare të të Ardhurave në Bullgari.

“Grupet e organizuara kriminale të përfshira në sulmet kibernetike zakonisht kërkojnë fitime financiare, por në këtë rast, janë të mundshme motivet politike”, tha Marinov, duke shtuar se një hetim për rastin është në proces.

Kryeministri, Boiko Borisov, më 16 korrik, thirri një takim të Këshillit për Siguri të Qeverisë bullgare, për të diskutuar situatën.


Send this to a friend