VOAL

VOAL

Rezoluta për vëllezërit Bytyçi nuk i shqetëson figurat përgjegjëse në Serbi

RFE /RL

Miratimi i rezolutës nga Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, me të cilën i kërkohet Serbisë që të vë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë që u vranë në vitin 1999, nuk e ka shqetësuar ish-komandantin e xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq Guri, pjesëtarët e të cilës njësi dyshohen për kryerjen e krimit.

“Nuk jam i shqetësuar”, ka thënë Goran Radosavleviq Guri për Radion Evropa e Lirë në lidhje me rezolutën e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, me të cilën kërkohet të zgjidhet rasti i vrasjes së tre vëllezërve Bytyçi, Ilirit, Agronit dhe Mehmetit, të tre shtetas amerikanë.

“Edhe në të kaluarën kanë miratuar rezoluta. Jam i lodhur nga komentimet”, ka thënë shkurt Radosavleviq Guri.

Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.

Në muajin korrik të vitit 1999 ata ishin arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.

Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish-Jugosllavisë.

Në rezolutë potencohet se trupat tyre u gjetën në një varrezë masive në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të kontrolluar nga njësitë që komandoheshin nga ish gjenerali i policisë serbe, Goran Radosavleviq, i njohur si Guri. Ata ishin me duar të lidhura dhe ishin qëlluar në kokë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka mirëpritur miratimin e rezolutës për vëllezërit “Bytyçi” nga Senati i SHBA-së, e cila, siç ka shkruar ai në Facebook, shpreh pakënaqësi me vonesat që po bën Serbia në dënimin e fajtorëve për vrasjen e vëllezërve Bytyçi nga aparati shtetëror serb në vitin 1999.

“Kjo mundëson që të shtyhet përpara çështja në instancat më të larta të SHBA-së, por gjithashtu tregon se kur është në pyetje Kosova, SHBA-ja është një, pa dallime partiake. Për ne është inkurajim që të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për të gjitha viktimat e regjimit serb në Kosovë dhe se drejtësia për vëllezërit Bytyçi më në fund do të vihet në vend”, ka shkruar Thaçi.

Kurse kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruar po ashtu në Facebook se miratimi në mënyrë unanime i rezolutës për vëllezërit Bytyçi, është një lajm i mirë, jo vetëm për këtë familje, por edhe për dëshmimin e krimeve të pushtetit serb, të kryera në Kosovë.

“Fshehja dhe mohimi i vrasjes së Yllit, Agronit e Mehmetit, është krim i dyfisht që i bëhet familjes Bytyçi, popullit të Kosovës, por edhe gjithë historisë së shqiptarëve, luftës për çlirim dhe sakrificës për liri. Kjo rezolutë, e miratuar nga SHBA, si mbrojtëse e vlerave njerëzore dhe demokracisë, është mesazh i qartë për shtetin serb, se pranimi i fajësisë dhe vendosja para drejtësisë e akterëve të masakrave dhe vrasjes së shqiptarëve, është rruga e vetme drejt paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka shkruar Haradinaj.

Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, Eliot Engel, transmeton Zëri i Amerikës, ka thënë se kjo çështje ishte e rëndësishme për të, duke pasur parasysh lidhjet me komunitetin shqiptar dhe se ai e njeh personalisht familjen e vëllezërve, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi.

Engel tha se ai e di që autoritetet serbe kanë njohuri se kush janë personat përgjegjës.

“Nëse Serbia do që të bashkohet me perëndimin, ajo duhet të përballet me të shkuarën dhe të pranojë përgjegjësinë”, tha ai.

Ligjvënësi nga Nju Jorku, Lee Zeldin tha se kjo çështje është ngritur vazhdimisht me autoritetet serbe.

“Dua t’i them Serbisë se ky është një mësim i rëndësishëm, se pas 20 vjetësh ne (Shtetet e Bashkuara) nuk kemi harruar dhe nuk do të harrojmë kurrë. Ne do të këmbëngulim që drejtësia të vihet në vend”.

Menjëherë pas miratimit, reagoi vëllai i Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçit, Ilir Bytyçi, duke shprehur vlerësimin e familjes së tij për rezolutën:

“Shpresojmë që i Dërguari i Posaçëm, Matt Palmer dhe i Dërguari i Posaçëm Rich Grenell t’i dëgjojnë këto zëra dhe ta bëjnë përparësi çështjen e vëllezërve Bytyçi dhe drejtësinë për krimet e luftës në punën e tyre. Sot Kongresi tregoi se viktimat nuk mund të injorohen”.

Në Rezolutën e miratuar të martën thuhet se “Shtetet e Bashkuara duhet t’iu kushtojnë vëmendje përpjekjeve të Qeverisë së Serbisë dhe ministrave të saj përkatës, si dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët po ndërmarrin hapa për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat që besohet se janë përgjegjës për vrasjen e vëllezërve Bytyçi. Përparimi në zgjidhjen e këtij rasti, ose mungesa e vullnetit, duhet të jenë faktor i rëndësishëm në përcaktimin e zhvillimit të ardhshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”, thuhet mes tjerash në dokument.

Rezoluta u referohet fakteve rreth vrasjes bashkë me përfshirjen e ish zëvendës-ministrit të Brendshëm të Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviç dhe Goran Radosavleviçit. Ajo përfshinë edhe premtimet e papërmbushura të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Që nga viti 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë.

Zhvillimi i proceseve u përcoll me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes.

Afër 1 vit nga vrasja e Kacifas, mediat helene: Shqipëria paralajmëron grekët të mos hyjnë në vend

Mediat greke vazhdojnë të shkruajnë për Kostanin Kacifas, greku që mbeti i vrarë në jug të Shqipërisë. Sipas mediave helene, grekët do të përkujtojnë “heroin” e tyre më datë 26 tetor 2019, duke shkuar në varrezat e Bularatit në Dropull.

Mirëpo, gjithnjë referuar mediave të fqinjit tonë jugor, edhe shqiptarët janë vënë në gatishmëri të plotë për të parandaluar “dyndjen” e grekëve në jug të vendit në ditët e përkujtimit të rënies së Kacifas.

“Shqiptarët janë duke bërë thirrje kundër grekëve, që ata të mos vijnë në Shqipëri. Shqiptarët në rrjetet sociale po bisedojnë sesi të ‘parandalojnë sulmin e grekëve ndaj jugut të vendit’.

Më tej, mediat greke shkruajnë se më datë 26.10.2019, grekët pritet që të mblidhen në varrezat e Bularatit për të kujtuar Kostandin Kacifas, i cili “vdiq” në “luftën” e tij ndaj forcave speciale shqiptare, RENEA. Duke cituar disa media elektronike shqiptare, mediat e vendit fqinj thonë se këta media në shqip i “frikësohen agresionit grek”.

(Balkanweb)

Serbia iu detyrohet 2.8 miliardë euro pensionistëve të Kosovës

Shteti i Serbisë i detyrohet pensionistëve kontribues të Kosovës një shumë borxhi total që kap shifrën e 2 miliardë e 800 milion euro.

Serbia po ashtu nuk është duke respektuar marrëveshjet e arritura gjatë dialogut në Bruksel, gjë e cila gjithashtu po i shkakton humbje Kosovës. Kështu u tha sot në prezantimin e studimeve rreth fazës finale të dialogut Kosovë -Serbi nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (Ridea), e cila me këtë rast ka dalë edhe me rekomandime për çështjen e kthimit të fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore nga ana e shtetit serb.

Mrika Kotorri nga ky institut tha se shuma e borxhit që Serbia ka ndaj pensionistëve kontribut-dhënës të Kosovës nuk përfshin interesin statusor, borxhin për periudhën 2017-2018, borxhin ndaj pensionistëve kontribut-dhënës që kanë jetuar në zonat e luftës gjatë 1998 dhe borxhin ndaj atyre që kanë paguar kontribute të detyrueshme për 15 vjet.

Kotorri deklaroi: “Serbia i detyrohet Kosovës 2.8 miliardë euro për fondet pensionale. Kemi totalin e borxhit 2.8 miliardë euro në tërësi, mirëpo duhet cekur që në këtë shifër nuk përfshihet instituti statusor, borxhi për periudhën 2017-2018, borxhi ndaj pensionistëve kontribut-pagues që kanë jetuar në zonat e luftës gjatë 1998 dhe borxhin ndaj atyre që kanë paguar kontribute të detyrueshme për 15 vjet në BVISIPI dhe të ish-KSAK”.

Disa nga rekomandimet për çështjen e fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidor, të cilat dolën nga ky studim janë, që Serbia duhet ta pranojë se e drejta në pension është e drejtë themelore e fituar në bazë të punës, që ta pranojë përgjegjësinë për dëmin në para dhe dëmin jo pasuror, që zyrtarisht ta pranojë detyrimin e saj politik dhe moral për kompensimin e pensionistët kontribut-pagues dhe që qeveria e Kosovës të shfrytëzojë të gjitha dokumentet relevante dhe të duhura për të zhvilluar argumentet e saj gjatë negocimit në emër të qytetarëve.

Studimi tjetër i RIDEA kishte të bënte me sektorin e energjisë, ku u tha se Serbia nuk po i respekton marrëveshjet e arritura gjatë dialogut, gjë e cila po i shkakton humbje financiare Kosovës. Besnik Krasniqi tha se dëmi total që rrjedh nga veprimet dhe jo veprimet e EMS që i ngarkohet Serbisë arrijnë shumën prej 432 milionë euro. Ai tha se ky borxh përbehet nga tri komponentë.

Krasniqi u shpreh: Ky borxh përbëhet nga 3 komponentë. Kur është fjala te vlerësimi i humbjeve monetare dhe të hyrave monetare, humbjet ekzistuese që përveç kanë ndodhur janë disa humbje që Kosova nuk i realizon për shkak të pengesave që krijohen për shfrytëzimin e interkoneksionit më Shqipërinë, nën 1 e kemi mos kompensimin për alokimin e kapacitetit në tri linjat e interkoneksionit që kapin vlerën prej rreth 225 milionë euro për periudhën 2004-2009, mos pagesat e faturave të energjisë në pjesën veriore të Kosovës që arrijnë vlerën prej 204 milionë euro dhe të hyrat e humbura që rrjedhin nga mos shfrytëzimi i linjës së transmisionit me Shqipërinë që kapin vlerën prej rreth 3 milionë euro për periudhën 2016-2019”./TCh

“Pranoje Kosovën”, kërkesa që e ka djersitur Vuçiqin në takim me njeriun e Trumpit

Java që po shkon është përcjellë me një prej zhvillimeve më të rëndësishme sa i përket dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në Prishtinë e Beograd ka qëndruar i dërguari i posaçëm i presidentit të SHBA’së për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Derisa për takimet në Kosovë nuk është dhënë ndonjë detaj, përveç atij që palët të rikthehen sa më shpejtë në dialog, për takimin që ka pasur Grenell me Vuçiqin në mediat serbe është spekuluar shumë.

Këshilltarja për media e Vuçiqit madje ka thënë se në takimin me përfaqësuesin Special të Trumpit ka ndodhur diçka e çuditshme.

“Vuçiq ka mbajtur shënime për vete”, ka thënë këshilltarja për media e Vuçiqit.

Tutje ajo ka thënë se Vuçiq pas daljes nga takimi nuk ka folur me askënd prej njerëzve të tij të afërt për disa minuta, pasi i është dashur ta rimarrë veten pas takimit me Richard Grenell.

E lidhur me këtë takim në mediat serbe po raportohet se njeriu i Donald Trump i ka kërkuar Vuçiqit që të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Kështu shkruan sot “Kurir”, e thirrur në disa burime diplomatike.

Ndryshe Vuçiq dje ka dhënë disa detaje sa i përket takimit që ka pasur me Richard Grenell, duke thënë se ka qenë një bisedë e vështirë.

Kreu i shtetit serb tutje ka shtuar se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe i ka bërë me dije popullit serb se Serbia nuk do të marrë asgjë, pasi askush nuk ofron asgjë./GazetaExpress/

Detaji i pazakontë në takimin me të dërguarin e Trumpit, flet Vuçiç pas gjendjes së “shokut”: Vetëm kur të jem menduar mirë rreth bisedës do dal…

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, ka filluar që pak nga pak të ndajë në publik detaje nga takimi që ka pasur me emisarin e presidentit të SHBA’së për dialogun, Richard Grenell, shkruan Gazeta Express.

I pyetur nga gazetarët nëse Grenell ishte i mendimit që të shfuqizohet taksa dhe që Serbia të jepte diçka në këmbim të një vendimi të tillë, Vuçiq ka thënë se askush nuk ka ofruar asgjë dhe që Serbia nuk do të marrë asgjë.

“Askush nuk ka ofruar as ndarje, askush nuk po na ofron asgjë. Ata nuk do të na japin asgjë”, ka thënë Vuçiq, shkruan B92, transmeton Gazeta Express.

Me tej ai ka thënë se të gjitha shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës, dëshirojnë që ta shohin “Serbinë pa Kosovën”.

“Ne kemi diçka në imagjinatë dhe kemi nevojë të marrim diçka, por askush nuk do të na ofrojë asgjë, mbajeni në mend këtë”, ka shtuar kreu i Serbisë.

Ndërkohë ka thënë se për të folur në mënyrë të plotë rreth takimit me Richard Grenell, do të dalë pasi të ketë menduar mirë rreth atyre që janë diskutuar dhe kur të reflektojë nga një takim i tillë.

“Vetëm atëherë do të dalë në publik’, ka thënë Vucic.

Për bisedën me Grenell Vuçiq ka thënë se ka qenë një bisedë serioze dhe e hapur.

“Biseda ishte serioze, e hapur dhe e përgjegjshme dhe kjo është gjithçka që mund të them”

Ndërkohë për prapaskenat e takimit me Grenell kishte folur këshilltarja e Vucic, Suzana Vasiljevic.

Këshilltarja për media e presidentit të Serbisë, Suzana Vasiljevic, ka dhënë detaje rreth takimit që Aleksander Vucic ka pasur me emisarin e Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Ajo ka thënë se një takim i tillë ka qenë jashtëzakonisht sfidues, megjithatë ka thënë se nuk mund të lëshohet në detaje, rreth asaj që është biseduar, raporton Gazeta Express.

Vasiljevic ka thënë se në dhjetë minutat e parë në takim kanë qenë kokë më kokë, vetëm Vuçiq dhe Grenell, dhe më pas në takim është bashkuar edhe drejtori i të ashtuquajturës “zyra për Kosovën”, Marko Gjuriq.

Vasiljevic ka thënë se ajo që ka qenë e pazakontë nga takimi me emisarin e Trumpit, është që Vuçiq ka mbajtur shënime edhe për vetën e tij, gjë që sipas saj nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.

“Çfarë ishte e pazakontë, ishte që presidenti po mbante shënime edhe për vetën e tij për herë të parë. Bisedimet duket se ishin jashtëzakonisht të vështira”, ka thënë ajo.

Përveç tjerash Vasiljevic ka thënë se pas takimit me Grenell ka qenë në një disponim jashtëzkaonisht të keq, sa që nuk ka folur me asnjë prej stafit për disa minuta.

Këshilltarja e Vuçiq ka thënë se edhe më parë  ka ndodhur që takimet rreth cështjes së Kosovës të jenë të vështira, megjithatë thotë se asnjëherë në atë nivel të vështirësisë sa që presidenti të mos flasë me asnjë prej bashkëpunëtorëve të tij.

Tutje, Vasiljevic ka thënë se Vuçiqit i janë dashur disa minuta që të mendoj e ta marrë veten, dhe të zbërthejë gjithë atë që e ka dëgjuar nga Grenell.

Më pas nga zyra e Vucicit, pas takimit me Grenell është lëshuar një komunikatë në të cilën thuhej se Vucic i ka thënë emisarit të Trumpit se një kompromis që do të jetë në interes të stabilitetit dhe të ardhmes së rajonit, mund të arrihet duke respektuar interesat legjitime të Serbisë.

Në këtë njoftim është cituar Grenell i cili ka thënë se dy palët” duhet të bashkëpunojnë shpejtë dhe ngushtë, duke shikuar drejt të ardhmes”./GazetaExpress/

Rrëfehet gjykatësja famëkeqe serbe që dënoi Albin Kurtin me 15 vite burg: Ja biseda që kam bërë me të! (video)

Gjyqtarja serbe e masave të dhunshme e instaluar në Prishtinë, Danica Marinkoviç, e cila gjatë viteve 90’të pothuajse ka dënuar të gjithë shqiptarët që kanë refuzuar në ndonjë mënyrë regjimin serb, ka rrëfyer sot në një televizion në Beograd se si e kishte dënuar Albin Kurtin në vitin 1999 pas arrestimit në Prishtinë gjatë bombardimeve.

Ajo ka thënë se Kurtit është “nacionalist ekstrem” duke rrëfyer se si para gjykatës kishte refuzuar të gjithçka, që nga shtetësia serbe deri te refuzimi i referencës ‘e ashtuquajtur’ kur Gjykata i është referuar Republikës së Kosvës dhe UÇK’së, raporton ‘Express’.

Albin Kurti në vitin 1999 ishte pjesë e Zyrës së UCK’së në Prishtinë e cila drejtohej nga Adem Demaçi e ku Kurti ishte si ndihmës i tij dhe përkthyes.

Marinkoviq ka filluar rrëfimin me arrestimin e Kurtit gjatë bombardimeve të NATO’s nga Policia e Serbisë duke treguar se vetë ka qenë gjyqtare hetuese e rastit.

“Gjatë marrjes së të dhënave personale kur është pyetur se shtetas i cilit vend është menjëherë kam ardhur në përfund se ai është nacionalist ekstrem, me nacionalitet më tha se është shqiptar, e kur e pyeta se shtetas i cilit vend është tha i Republikës së Kosovës, pra atëherë as që ka ekzistuar Republika e Kosovës. Ne i thamë se krahina e Kosovës është në kuadër të Serbisë, ai tha “jo” unë nuk e njoh shtetin serb, është shtet okupator, populli serb është okupator dhe unë jam shtetas i Republikës së Kosovës”, ka thënë Marinoviç.

Ajo më pas ka thënë se kur u ka kërkuar daktilografëve që ta shkruajnë “e ashtuquajtura Republikë e Kosovës” përsëri ka marrë reagimin e Kurtit.

Marinkoviç ka vazhduar tutje duke thënë se e ka pyetur nëse Kurti ka shërbyer në armatën jugosllave, edhe këtu kishte marrë përgjigje se edhe “po të merrja ftesë nuk do të shkoja pasi armata jugosllave është okupatore dhe armike”.

“Ai i është bashkuar UÇK’së në vitin 1998, dhe ai më tha mua mos gaboni ta shkruani e ashtuquajtura UÇK se për ne shqiparët UÇK është ushtri e vërtetë çlirimtare, e cila po lufton me policinë serbe për ta çliruar Kosovën që ta bëjmë shtetin e pavarur”, ka thënë Marinkoviç.

Gjyqtarja tani e pensionuar që ua ka nxirë jetën shqiptarëve më pas ka rrëfyer për dënimin e Kurtit pas procesit kundër tij në Nish ku Kurti ishte dënuar me 15 vjet burgim. Por, natyrisht nuk e ka përmendur rrahjen e Kurtit pas refuzimit për t’i njohur autoritetet serbe. Kurti vetë ka rrëfyer se pas kësaj rrahje nuk ka mundur të ecë një javë.

Marinkoviç po ashtu ka shkëputur edhe momentin kur Kurti ishte liruar nga burgu, pas presionit ndërkombëtar, refuzimin për ta nënshkruar dokumentin që ia falë një pjesë të burgut.

Turqia nis operacionin në veri të Sirisë

Turqia nisi një operacion ushtarak të planifikuar për një kohë të gjatë në veriun e Sirisë për të nxjerrë forcat kurde të etiketuara nga Ankaraja si terroristë, por që shihen nga shumica e Perëndimit si partnerë kryesorë në luftën kundër Shtetit Islamik.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi fillimin e operacionit, të quajtur “Pranvera e Paqes” dhe tha se ai kishte për qëllim zhdukjen e “kërcënimit të terrorit” kundër Turqisë.

Sulmet ajrore turke goditën qytetin Ras al-Ayn në anën siriane të kufirit, thanë aktivistët vendorë.

Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët (FDS) thanë që avionët luftarak turq po godasin zona civile, duke shkaktuar panik të madh.

Operacioni ushtarak filloi disa ditë pas një njoftimi të befasishëm të Shtëpisë së Bardhë se forcat amerikane do të tërhiqeshin nga rajoni, duke i hapur rrugën operacionit ushtarak turk.

“Shtetet e Bashkuara nuk e miratojnë këtë sulm dhe e kanë bërë të qartë për Turqinë se ky operacion është një ide e keqe. Nuk ka ushtarë amerikanë në zonë”, tha Presidenti Donald Trump në një deklaratë të mërkurën. “E bëra të qartë se nuk dua t’i luftoj këto luftëra të pafundme, të pakuptimta – veçanërisht ato që nuk u sjellin dobi Shteteve të Bashkuara. Turqia është angazhuar për mbrojtjen e civilëve, mbrojtjen e pakicave fetare, përfshirë të krishterët dhe mënjanimin e një krize humanitare. Dhe ne do t’i mbajmë ata përgjegjës ndaj këtij angazhimi “.

Si ligjvënësit demokratë edhe ata republikanë kanë kritikuar ashpër tërheqjen amerikane nga Siria veriore, duke thënë se Shtetet e Bashkuara po braktisnin kurdët sirianë që kishin luftuar grupin terrorist Shteti Islamik së bashku me trupat amerikane.

“Nëse e dëgjoj presidentin të thotë edhe një herë,” bëra një premtim fushate për të dalë nga Siria, “do më turbullohet stomaku”, tha senatori republikan Lindsay Graham për Axios. “Ai bëri një betim për të mbrojtur kombin kundër të gjithë armiqve, të huaj dhe vendas. Nuk ka asnjë armik më të madh për kombin tonë se ISIS. Dhe nuk ka asnjë mënyrë që ta mbrojmë vendin nga Islami radikal pa partnerë si kurdët.”

Përpara sulmit turk, Forcat Demokratike Siriane lëshoi thirrjen e vet për vendet e përfshira në koalicionin për të mposhtur ISIS-in dhe për të shmangur një katastrofë humanitare në veri të Sirisë.

“Të gjithë treguesit, informacionet në terren dhe grumbullimet ushtarake në anën turke të kufirit tregojnë se zonat tona kufitare do të sulmohen nga Turqia, në bashkëpunim me opozitën siriane të lidhur me Turqinë,” tha FDS. “Ky sulm do të sjell viktima në radhët en e mijëra civilëve të pafajshëm sepse zonat tona kufitare janë të mbingarkuara.”

Presidenti Trump ka këmbëngulur se nuk po braktis kurdët që luftuan me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e koalicionit kundër ISIS-it. Në të njëjtën kohë, ai ka lavdëruar edhe Turqinë, duke e ftuar Presidentin Erdogan të vizitojë Shtëpinë e Bardhë muajin tjetër (13 nëntor), ndërsa e quajti Ankaranë një “partner të madh tregtar” dhe i atribuojë qeverisë turke “ndihmën për të shpëtuar shumë jetë njerëzish në provincën Idlib”.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë konfirmuan se kanë ripozicionuar rreth 50 anëtarë të forcës speciale amerikane, të cilët kishin vepruar përgjatë kufirit Turqi-Siri, për shkak të rreziqeve të sigurisë.

“Fatkeqësisht, Turqia ka zgjedhur të veprojë në mënyrë të njëanshme,” tha zëdhënësi i Pentagonit Jonathan Rath Hoffman në një deklaratë, të martën.

“Si rezultat, ne kemi zhvendosur forcat amerikane në veriun e Sirisë larg nga rruga e inkursionit të mundshëm turk për të ruajtur sigurinë e tyre,” shtoi ai. “Deri tani nuk kemi bërë asnjë ndryshim në praninë tonë ushtarake në Siri.” za

Erdogani në Beograd: Një marrëveshje e arritur mes Kosovës e Serbisë do të jetë e pranueshme edhe për ne

Presidenti i Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq

Presidenti i Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan ka mbërritur në Beograd për një vizitë dy-ditore.

Ai përveç takimeve me autoritetet serbe do të marrë pjesë edhe në ceremoninë e nisjes së punimeve në autostradën Beograd-Sarajevë.

Erdogan filloi vizitën e tij duke vizituar ekspozitën “Serbia dhe Turqia në dokumentet e Arkivit Osman dhe Arkivit të Serbisë”.

Pas bisedimeve me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, që zgjatën pak më shumë se një orë, ka filluar seanca e Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit midis Serbisë dhe Turqisë.

Të dyja vendet do të nënshkruajnë një sërë marrëveshjesh dypalëshe. Në delegacionin e presidentit Erdogan janë edhe disa përfaqësues të bizneseve turke.

Para mbërritjes së tij në Beograd, presidenti turk, Reccep Tayyip Erdogan, i tha gazetës Politika se arritja e një marrëveshje për çështjen e Kosovës, e cila kënaq të gjithë palët e interesuara, është jetike për të arritur stabilitetin dhe paqen afatgjatë në Ballkan.

“Prandaj ne mbështesim vazhdimin e procesit të dialogut Beograd-Prishtinë dhe arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të bazuar në vullnetin e lirë dhe konsensusin nga të dyja palët. Ne jemi të gatshëm të bëjmë çmos për të zgjidhur çështjen. Një marrëveshje e arritur midis dy vendeve do të jetë e pranueshme edhe për ne”, ka thënë Erdogan.

Erdogan, i cili thotë se marrëdhëniet Turqi-Serbi janë në nivelin më të lartë historik, vizitoi për herë të fundit Serbinë në tetor të vitit 2017. rel

Presidenti Erdogan nesër viziton Serbinë

Ankara

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan nesër do të vizitojë Serbinë për të marrë pjesë në takimin e dytë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Serbi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Kryesia e Komunikimit të Presidencës turke mësohet se në takimin e dytë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Serbi që do të kryesohet nga Erdoğan dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të marrin pjesë edhe ministra dhe zyrtartë përkatës.

Gjatë takimeve do të rishikohen në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha dimensionet marrëdhëniet dypalëshe, do të diskutohen hapat që mund të hidhen për thellimin e bashkëpunimit si dhe do të shkëmbehen pikëpamjet rreth çështjeve rajonale dhe ndërkombëtare.

Në kuadër të vizitës gjatë periudhës 7-8 tetor e cila ka një rëndësi të veçantë për shkak se do të zhvillohet në një periudhë kur festohet 140-vjetori i ndërtimit të marrëdhënieve diplomatike Turqi-Serbi, do të zhvillohet edhe Forumi i Biznesit Turqi-Serbi.

Gjatë vizitës krahas hapjes së projekteve të realizuara në Serbi nga TIKA, planifikohet që të zhvillohen edhe ceremoni të ndryshme për inaugurime dhe hapjen e fabrikave të ngritura nga kompanitë turke.

Në kuadër të vizitës, pritet që me pjesëmarrjen e presidentit Erdoğan, presidentit serb, Vuçiç dhe kryetarit të Këshillit Presidencial të Bosnjë e Hercegovinës, Zhelko Komsiç në Beograd të zhvillohet edhe takimi i Samitit trepalësh Turqi-Bosnjë e Hercegovinë-Serbi i cili është formuar me qëllim përmirësimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

Me rastin e samitit pritet dhe pjesëmarrjen e liderëve pritet të zhvillohet edhe ceremonia e fillimit të autostradës Sarajevë-Beograd.

Gjykata urdhëron Bosnjën të largojë kishën nga prona e një banoreje myslimane

Fata Orloviq në oborrin e pronës së saj ku është ndërtuar kisha ortodokse.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka urdhëruar autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë që të heqin një kishë ortodokse serbe të ndërtuar në oborrin e një gruaje myslimane, pasi ajo u detyrua të ikte gjatë luftës, në vitet 1992-95.

Vendimi, i shpallur nga Gjykata më 1 tetor, ka të ngjarë të përfundojë një betejë të gjatë ligjore të iniciuar nga Fata Orloviq dhe 13 anëtarët e familjes së saj, që shpëtuan nga masakra e Srebrenicës në vitin 1995.

Gjykata vendosi që ndërtimi i kishës më 1998 ishte i paligjshëm dhe urdhëroi autoritetet që të siguronin heqjen e saj brenda tre muajve dhe të paguanin dëmshpërblim 5000 euro për Orloviqin dhe 2,000 euro për të afërmit e saj.

Fata Orloviq, 77 vjeçare mirëpriti vendimin e Gjykatës.

Ajo i tha Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se ” nuk është kundër ndërtimit të një kishe, por kundër atyre që e ndërtuan në pronën e saj”.

Orloviq tha se çështja duhet t’u dërgojë një mesazh të gjithëve se ata duhet të vazhdojnë të “luftojnë për atë që është jotja”.

Familja Orloviq ka luftuar në procese gjyqësore për ta hequr kishën që nga viti 2000, kur u kthyen në fshatin në Bosnjën lindore, rreth 20 kilometra në lindje të Srebrenicës.

Serbët më 1993 dëbuan të gjithë banorët myslimanë të Konjeviç Polje në Srebrenicë, një zonë e sigurisë e Kombeve të Bashkuara, duke vrarë rreth 8,000 burra dhe djem myslimanë, në atë që shihet si masakra më mizorë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Dy gjykata ndërkombëtare e shpallën masakrën si gjenocid.

Situata e kësaj familje nxjerr në pah një nga çështjet e shumta me të cilat përballen qindra mijëra njerëz që ikën nga spastrimi etnik gjatë luftës në Bosnje, por tani po kërkojnë të kthehen në shtëpitë e tyre. rel

1 ton kanabis, që dyshohet se u nis nga Shqipëria, kapet në ishullin grek

Një ton kanabis, raportohet të jetë sekuestruar nga policia në ishullin Skopelou në Greqi, ndërsa trafikuesit e sasisë së madhe të drogës dyshohet se janë shtetas shqiptarë.

Bëhet me dije se lënda narkotike ka qenë e fshehur në një shpellë në ishullin e vogël Piperi, ndërsa policia greke është angazhuar me mjaft forca në zbulimin e trafikantëve të saj.

Për këtë operacion policar mësohet se janë angazhuar forca nga deti dhe nga ajri, ndërsa nuk dihet ende nëse trafikantët kanë lidhje me kapjen e dy gomoneve me lëndë narkotike ditët e fundit në Greqi.

Dyshimet janë se në ishull janë fshehur dhe trafikantët e drogës, megjithëse deri tani kapja e asnjërit prej tyre nuk ka qenë e mundur.

Ishulli në fjalë ndodhet në Detin Egje përballë Turqisë, ku mendohet të ketë qenë dhe destinacioni final i lëndës narkotike.

Është diskutuar shpesh ekzistenca e një linje të trafikut të narkotikëve nga Shqipëria drejt Turqisë, ku bëhet shkëmbimi i kanabisit që prodhohet në vendin tonë me lloje më të forta droge, që vijnë nga vendet e Lindjes dhe Amerikës Latine.

Ballkani “fuçi baruti”, ja sa kanë shpenzuar shtetet e rajonit në armatim

A ka garë armatimi mes shteteve të Ballkanit apo vetëm po modernizojnë kapacitete ushtarake, apo po përshtaten shtetet anëtare po i përshtaten NATO standardeve.

Serbia bleu 30 tanke moderne ruse E72, kroatët harxhuan 30 milionë vetëm për remont të fluturakeve, hungarezët zotuan 500 milionë euro në raketa e helikopterë, rumunët me sistem balistike “Patriot”, Bullgaria bleu 8 aeroplanë luftarak amerikanë F16.

Përveç tankeve moderne ruse Serbia bleu edhe 6 aeroplanë luftarak rus MiG që arritën në Serbi në fund të gushtit.

Duke ju falënderuar politikës gjoja se neutrale ushtarake të Serbisë këta po blejnë armatim në ‘perëndim’ e ‘lindje’. Deri në fund të vitit pritet dërgesa e shtatë helikopterëve rus MI35 dhe MI17 dhe në plan është edhe modernizimi i sistemeve kundërajrore “Buk 2” dhe “Pancir”.

As Bosnja e Hercegovina nuk mbeti pa u armatosur paksa, bleu dy helikopterë amerikanë Bell UH-1 Iroquois.

Nga shtetet ballkanase Bullgari, Kroacia, Rumunia, Mali i Zi dhe Kroaci si anëtare të NATO’s po i përshtaten standardeve të caktuara.

Politikani serb: Serbia të njohë Kosovën, është më mirë për të

Ish-ministri i Jashtëm i Federatës serbo-malazeze Vuk Drashkoviç, e ripërsëritit edhe njëherë se Serbia e ka humbur Kosovën dhe këtë realitet të hidhur serbët duhet që ta pranojnë.

Ai këshilloi presidentin serb Aleksander Vuçiç që të bëjë atë që imponon arsyeja, realiteti dhe të mos t’i frikësohet rrezikut.

“Realitet i vrazhdët. Me Rezolutën 12-44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më 10 qershor të vitit 1999, pas kapitullimit të regjimit të Slobodan Milosheviqit në luftën me Aleancën e NATO-s, shteti i Serbisë u përzu njëherë e përgjithmonë nga Kosova. U përzu! Dhe ne këtë fakt duhet të pranojmë dhe ta njohim patjetër. Për këtë rezolutë votoi Rusia dhe luajti një rol të rëndësishëm në hartimin e saj. Kina nuk ishte kundër. I gjithë Këshilli i Sigurimit ishte për këtë dëbim të shtetit të Serbisë nga Kosova”, tha Drashkoviç për televizionin N1.

Drashkoviç nuk e kupton angazhimin aktual të Moskës dhe Pekinit për gjoja mbrojtjen e sovranitetit serb mbi Kosovën sepse këto vende dhanë kontribut të rëndësishëm për shkëputjen e Kosovës:

“Cili është qëllimi i kësaj politike që populli serb këtu të mbahet në një hipnozë, në një bindje të rrejshme se Kosova është edhe më tej krahinë autonome e Serbisë? Pra, Kosova është e humbur. Ky është realiteti”, vazhdoi ai.

Politikani serb shtoi se pavarësisht kësaj, nuk është humbur populli serb në Kosovë, thesari kulturor, kishat, manastiret për ruajtjen dhe mbrojtjen e të cilave duhet të angazhohet shteti serb, por tërheq vërejtjen, kjo mund të bëhet vetëm në një bashkëpunim strategjik me Evropën dhe Amerikën, por edhe me një marrëveshje të sinqertë me shqiptarët në Kosovë. Duke folur për zgjidhjen e kontestit, ish-kryediplomati jugosllav, ka riargumentuar idenë e tij të moçme se Kosova dhe Serbia mund të jetojnë ashtu siç kanë jetuar dy Gjermanitë, pas Luftës së Dytë Botërore.

Vuçiq: Për Kosovën duhet zgjidhje e përhershme

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, tha se për “problemin e Kosovës” duhet zgjidhje e përhershme, e cila duhet të arrihet në atë mënyrë që asnjëra palë të mos fitojë gjithçka, por mjaftueshëm.

Vuçiq iu drejtua të enjten Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

“Kemi filluar të luftojmë për një zgjidhje të përhershme dhe presim që bota t’i kuptojë qëndrimet dhe argumentet tona dhe të mos e mbështesë palën e kundërt, siç ka bërë nga viti 1999 deri më 2008”, tha Vuçiq.

Ai tha se arritja e marrëveshjes me Kosovën, për normalizimin e marrëdhënieve, është e rëndësishme për stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

Vuçiq tha se Serbia ka biseduar me Kosovën, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përkundër “tensioneve dhe incidenteve të shpeshta në Kosovë dhe veprimeve të njëanshme të Prishtinës”.

Vuçiq tha se taksa që u ka vënë Kosova prodhimeve të Serbisë, në nëntor të vitit të kalaur, ka bërë që Serbia të humbë 350 milionë euro.

“Tarifa që vazhdon të jetë në fuqi, ka vënë në rrezik edhe jetën normale dhe të dinjitetshme të serbëve në Kosovë”, tha Vuçiq.

“Në gjithë këtë kohë, Serbia ka reaguar në mënyrë të moderuar dhe me përgjegjësi ndaj veprimeve të njëanshme të Prishtinës, duke mos vendosur kundërmasa dhe duke bërë përpjekje të qetësojë situatën”, tha Vuçiq.

Autoritetet e Kosovës, përkundër thirrjeve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara për heqjen e taksës, nuk kanë ndryshuar qëndrim.

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, i cili e ka marrë vendimin për taksën, e ka kushtëzuar heqjen e saj me njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia.

Vuçiq, në disa raste, ka përsëritur se nuk mund të ketë dialog pa heqjen e taksës. rel

Tërmeti i fuqishëm në Stamboll

TURQI

Një tërmet i fuqishëm goditi sot Stambollin por fatmirësisht nuk raportohet për njerëz të lënduar. Goditja e shkallës 5.7 u shoqëruar me dhjetëra goditje të tjera më të vogla në Turqinë Perëndimore.

Panik i madh në Stamboll pas tërmetit të fortë me magnitudë 5.7 që goditi kryeqytetin turk në orën 13:59 me orën lokale. Independent shkruan se disa zyra dhe shkolla u evakuuan përkohësisht. “Ndjemë ndërtesat të dridheshin, ishte e frikshme”, kanë thënë dëshmitarët.

Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu shkroi në “Twitter” se nuk ka raportime për dëme dhe njerëz të lënduar. Tërmeti raportohet të jetë ndjerë edhe në provincat fqinje. Të martën, një tërmet me magnitudë 4,6 goditi gjithashtu Silivrin.

Më shumë se 200 persona u vranë dhe 1000 u plagosën pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 7.2 që goditi Juglindjen e Turqisë më 23 tetor 2011. Shumica e viktimave ishin në qytetin Ercis, ku u rrënuan dhjetëra ndërtesa. Në 1999 një tërmet me madhësi 7.6 goditi qytetin Izmir, 90 km në juglindje të Stambollit, duke vrarë më shumë se 17,000 njerëz.

Turqia është ndër vendet më sizmike aktive në botë, pasi ndodhet në disa linja aktive, ku një nga ato më potencialisht shkatërruese është Pika e Anatolisë Veriore (NAF), pika e takimit e pllakave tektonike të Anadollit dhe Euroazisë.

Dodiku ia ofron Serbisë Republikën Serbe dhe katër komunat veriore serbe të Kosovës

Anëtari i presidencës rotative të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, ka deklaruar dje se një prej opsioneve për të zgjidhur çështjen e Kosovës është që katër komunat e veriut të Kosovës, siç thotë ai, “t’i mbesin Serbisë”, ndërsa Republika Serbe e BeH-së të bëhet pjesë e Serbisë.

“Nëse kjo është zgjidhja, unë nuk jam larg saj”, ka thënë Dodiku për televizionin serb “Prva”, transmeton portali serb i Kosovës, “Kossev”.

I pyetur se çfarë mendon për idenë që të gjitha problemet në Ballkanin Perëndimor të zgjidhjen në pako, Dodiku tha se çështjet e Republikës Serbe dhe të Kosovës janë të lidhura, sepse “faktikisht janë çështje të popullit serb”, transmeton Koha.net.

“Çështje primare shtetërore e Serbisë është Kosova, por çështje primare nacionale është Republika Serbe sepse në të jetojnë 1 milion serb”, tha Dodiku.

Vuçiç e pranon që është mërzitur pas shkarkimit të John Bolton nga Trump

Presidenti serb Aleksander Vucic tha sot se, pavarësisht se presidenti amerikan Donald Trump ka larguar këshilltarin e tij për siguri, John Bolton, me administratën amerikane do të vazhdojnë bisedimet për të gjetur një emërues të përbashkët me ta dhe me shqiptarët dhe për të siguruar një paqe të qëndrueshme.

Siç raportojnë mediat serbe, i pyetur se si komenton faktin se John Bolton u desh ta linte postin e tij, njeriun që avokoi në bisedimet për çështjen e demarkacionit dhe ndarjes së Kosovës, Vuçiç tha se me të nuk pati rast të takohej, por kishte zhvilluar bisedë telefonike.

“Ne serbëve na pëlqeu qëndrimi i tij për Kosovën, prandaj nuk e kuptoj gjithë atë gëzim dhe lumturi te disa, që janë të kënaqur me faktin se ai nuk është më këshilltar [i presidentit Trump] për sigurinë kombëtare”, ka thënë sot Vuçiç.

Ai ka treguar se gjatë vizitës së tij të paradokohshme në SHBA, është me Sekretarin e Shtetit Amerikan Mike Pompeo dhe Matthew Palmer, Përfaqësuesin e Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor.

“Ata janë përfaqësues të drejtpërdrejt të presidentit amerikan Trump dhe të Departamentit të Shtetit. Ne do t’i vazhdojmë bisedimet. Kemi të bëjmë me njerëz të përgjegjshëm dhe seriozë me të cilët nuk është e lehtë të bisedosh, as të negociosh”, tha ai.

“Do të kërkojmë një emërues të përbashkët me shqiptarët dhe amerikanët për të siguruar paqen e qëndrueshme, nëse është e mundur”, përfundoi Vuçiç.

“Njeriu i artë” 2.500 vjeçar ekspozohet në Turqi

Në Turqi ka mbërritur për t’u ekspozuar armatura e njeriut me veshje prej ari i njohur ndryshe si “njeriu prej ari” i cili është gjetur gjatë punimeve ndërtuese në Kazakistan dhe i cili mendohet se i përket një perandori ose djalit të tij princit për shkak të më shumë se 3 mijë pllakash ari të përpunuara që ndodhen mbi të, raporton Anadolu Agency (AA).

Armatura e cila ekspozohet në Muzeun e Qytetërimeve të Anadollit në kuadër të projektit të Kazakistanit “Njeriu prej ari në muzetë botërore”, ndodhet në mesin e argumenteve të rëndësishëm që vërtetojnë kulturën turke dhe thellësinë brenda historisë së qytetërimit.

Mbi “Njeriun me veshje ari” i cili u gjet gjatë punimeve ndërtimore në vitin 1969 në rajonin Yedisu të Kazakistanit ndodhen mbi 3 mijë pllaka në formë trekëndëshi ku janë përpunuar me motive të ndryshme si leopard, pars, dashi, dreri, dhie, kali dhe të zogjve.

 

Veshja e cila përbëhet një mantel me jakë V që mbyllet nga e djathta në të majtë, pantallona të ngushta kalorësi, çizme të shkurtra poshtë gjurit, tërheq vëmendjen me kapelën e saj prej 65 cm. Në kapelën e cila në majë ka një motiv me dhi të egër tërheq vëmendjen gjithashtu kali me dy krahë i cili simbolizon perëndinë e diellit me 4 shigjeta, që simbolizojnë mbizotërimin e botës.

Krahas mantelit dhe kapelës në armaturë ndodhen edhe një shpatë e gjatë e veshur me ar me 150 madhësi të ndryshme, një thikë gjysmë lëkurë dhe gjysmë dru, si dhe kamxhiku i përpunuar me ar. Po ashtu “njeriu prej ari” ka edhe një unazë që mendohet se është përdorur si vulë.

Pjesët që ndodhen pranë armaturës së nxjerrë nga varri i quajtur si “Issyk Kurgan” vërtetojnë se turqit kanë formuar një qytetërim dhe një shtet të madh para 2.500 vjetëve dhe se kanë përdorur gjuhët e tyre të shkruara.

Dy rreshta mbishkrimi që ndodhen mbi një garuzhdë argjendi me bisht të thyer që është nxjerrë nga dhoma e varrit, konsiderohen teksti më i vjetër turk. Shumica e shkencëtarëve bashkohen në mendimin se mbishkrimi ka kuptimin “Djali i Khanit vdiq në moshën 23 vjeç, ngushëllime popullit Issyk”.

Kjo vepër e rrallë 2.500 vjeçare, trashëgimi e përbashkët kulturore e botës turke, që reflekton besimet turke, rregullin shtetëror dhe pikëpamjet mitologjike do të vizitohet deri më 12 tetor.

“Njeriu i artë, është Tutankamuni i nomadëve”

Ambasadori i Kazakistanit në Ankara, Abzal Saparbekuly, në një deklaratë për AA lidhur me ekspozitën tha se armorja e njeriut të artë e përcaktuar se i përket shek.5 para erës sonë, është një vepër e rrallë e cila vërteton thellësinë e historisë së turqve.

Pasi ka shpjeguar se “njeriu i artë” është gjendur gjatë punimeve të një rruge në Issyk Kurgan, ambasadori Saparbekuly, është shprehur: “Historia është shumë interesante. Gjatë punëve rrugore, makinat që kalonin pranë një kodre të madhe përballen me disa gjetje ari. Pastaj fillojnë gërmimet. Gjendet kjo vepër e përpunuar plotësisht me ar. Është një gjetje shumë e rëndësishme për sa i përket përpunimit të arit dhe vlerave shpirtërore të asaj periudhe”.

Gjatë gërmimeve në Issyk Kurgan janë gjetur mbi 4 mijë vepra arkeologjike, ka rikujtuar Saparbekuly, i cili ka theksuar më tej se “Themeluesi i Kazakistanit, presidenti Nursultan Nazarbayev, lidhur me këtë gjetje thotë se ‘Njeriu i artë, është Tutankamuni i nomadëve’. Është një vepër e rëndësishme nga pikëpamja historike. Varri (Kurgani) i njeriut të artë është vendi i dytë pas varrit të Tutankamunit nga ku janë nxjerrë më shumë sende”.

Saparbekuly, bëri të ditur se pas Issyk Kurgan në vende të ndryshme të Kazakistanit janë gjetur edhe “5 meshkuj dhe gra të arta” të cilët janë trashëgimi e periudhës së Skithëtve (Saka). Njeriu i artë tregon se historia jonë nuk fillon vetëm nga periudha e Göktürks, por që nga Hunët dhe Skithët (Saka).

Duke shpjeguar se ekspozita është hapur në Bjellorusi, Rusi, Azerbajxhan, Kinë, Poloni, Korenë e Jugut, Uzbekistan dhe Maqedoninë e Veriut, ambasadori Saparbekuly tha se “njeriu i artë” do të dërgohet në vendet e Lindjes së Largët, kryesisht në Malajzi dhe në Evropë dhe Amerikë.

“Ekzistenca e një pasurie dhe civilizimi të tillë historik dhe kryevepra e artit e qëndisur me ar, në një vend nomad si Kazakistani i mahnit të gjithë”, tha Saparbekuly, i cili ka bërë të ditur se të gjithë vendet ku ka vajtur “njeriu i artë” është treguar interes.

Edhe mbishkrimi më i vjetër turk në ekspozitë

Saparbekuly shpjegoi se në Muzeun e Qytetërimeve të Anadollit ekspozohen 207 objekte, të cilët u zbuluan nga 7 rajone në Kazakistan, duke përfshirë një garuzhdë argjendi mbi të cilën ndodhet mbishkrimi më i vjetër turk.

“Sendet e vlefshme në ekspozitë do t’i bëjnë vizitorët të ndiejnë jetën dhe frymën e periudhës. Unë i ftoj vëllezërit tanë turq, artdashësit, dashamirët e historisë dhe të gjithë njerëzit e Ankarasë që për të njohur tokën dhe historinë e tyre të vizitojnë ekspozitën, e cila do të zgjasë deri më 12 tetor”, tha Saparbekuly.

Turqi, lirohen 5 ish-gazetarë të së përditshmes opozitare

Pesë ish-gazetarë të së përditshmes opozitare “Xhumuriet”, përfshirë karikaturistin e shquar Musa Kart, u liruan nga burgu të enjten në mbrëmje pas një vendimi të gjykatës së apelit.

Të pesë ata po vuanin dënime prej më pak se pesë vitesh për “ndihmë dhe forcim të grupeve terroriste, pa qenë anëtarë të ndonjë grupimi”.

Të pesë gazetarët ishin në mesin e 14 anëtarëve të stafit të gazetës, përfshirë gazetarë e drejtues, të dënuar në vitin 2018. Në fillim të këtij viti ankimimi i tyre u kundërshtua nga një gjykatë më e ulët.

Ata u akuzuan se mbështesin, përmes mbulimit në shtyp, tre organizata që Turqia i ka shpallur si grupe terroriste, Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, Frontin Ultra të Majtë Revolucionar për Lirinë e Popullit si dhe lëvizjen Gulen, që autoritetet turke e akuzojnë si autore të grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016.

Gazetarët qëndruan në burg 142 ditë.

Gazeta e përditshme “Xhumuriet” ka pasur shpesh probleme me autoritetet qeveritare. Ish-kryeredaktori i saj Xhan Dundar u arratis drejt Gjermanisë pasi u dënua në vitin 2016 për një artikull ku thuhej se Turqia kishte furnizuar me armë grupet islamike në Siri. za

Policia greke bllokon një ton marijuanë në Janinë, afër Shqipërisë

Policia greke tha se ka sekuestruar rreth një ton marijuanë në një kamion që u bllokua në hyrje të Janinës, qytetit verior grek fqinj me Shqipërinë. Sipas policisë greke shoferi i kamionit që rezulton i vjedhur është një 30 vjeçar, shtetas i huaj.

Sipas policsë greke operacioni kishte nisur në brezin kuftar me Shqipërinë. Sipas mediave greke dyshohet se lënda narkotike ishte transportuar nga brezi kufitar në sasi të vogla në kamionin që kishte destinacion qytetet në thellësi të Greqisë. Operacioni antidrogë u krye nga Divizioni i Antidrogës Greke dhe sasia e narkotikëve është ndër më të mëdhatë e bllokuara gjatë viteve të fundit nga policia greke.

Po sot policia shqiptare arrestoi një tjetër pjesëtar të 4 grupeve kriminale që u ndaluan dje për aktivitet në fushën e narkotikëve. Sipas Policisë shqiptare numri i të arrestuarve ka shkuar ne 58 persona qe akuzohen si të përfshirë në kultivimin dhe më pas trafikimin e lëndëve narkotike drejt Greqisë.

Vuçiq pas takimit me Papën: Vatikani nuk do ta njohë Kosovën

Pas takimit me Papën, Presidenti serb Aleksander Vuçiq tha se Vatikani po ndjek një politikë serioze dhe do të ruajë pozicionin e tij për Kosovën, raporton Sputnik.

Pas takimit, presidenti i Serbisë u tha gazetarëve se ka biseduar me Papën për vendet e shenjta në Kosovë, për situatën e ‘vështirë’ të popullit serb atje, por edhe për raportet e këqija të kroatëve ndaj serbëve. I pyetur nëse Vatikani do të mbante qëndrimin e tij për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës, Vuçiq tha se Vatikani po ndjek një politikë serioze dhe do të mbajë qëndrimin e vet, por dëshiron një zgjidhje paqësore me shqiptarët.

“Kjo është ajo që mund të them dhe që është e rëndësishme për qytetarët”, tha Vuçiq.

Zeman në Beograd: Do të shtroj çështjen për tërheqjen e njohjes së Kosovës

Beograd

Presidenti i Çekisë, Milosh Zeman sot në Beograd deklaroi se do të ngritë çështjen e tërheqjes së njohjes së Kosovës brenda një muaji në Pragë, duke thënë se “një vend i udhëhequr nga kriminelët e luftës nuk duhet të jetë në bashkësinë e vendeve demokratike”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai tha se Gjykata e Hagës kishte shprehur më parë dyshime për krimet e luftës të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës.

“Unë mendoj se pikërisht për këtë Haradinaj dha dorëheqje. Më lejoni të shprehem personalisht, por me këtë edhe bindjen, se një vend i udhëhequr nga kriminelët e luftës nuk duhet të jetë në bashkësinë e vendeve demokratike”, tha Zeman në konferencën e përbashkët për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ai gjithashtu deklaroi se çdo politikan duhet kryesisht të mbrojë interesat e vendit të tij dhe të mos jetë një kukull e autoriteteve të huaja.

Zeman paralajmëroi se brenda një muaji në seancën e Qeverisë në Pragë do të ngritë çështjen e tërheqjes së njohjes të Kosovës.

Sipas tij, ai nuk është diktator dhe nuk mund të imponojë qëndrimin e tij, por mund që gjatë këshillimeve qeveritare të ngritë çështje.

Duke folur për Serbinë, Zeman tha se nëse vazhdon në këtë drejtim, ajo do t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe nuk do të ishte vendi i pari që nuk është në NATO, sepse Austria tashmë ka të njëjtin model.
Ai gjithashtu vlerësoi se Serbia dhe Republika Çeke janë vende të mesme që ndajnë fatin e përbashkët.

Vuçiç deklaroi se “me mikun e sinqertë të Serbisë dhe popullit serb” me presidentin çek biseduan për marrëdhëniet gjithëpërfshirëse dypalëshe të të dyja vendeve si dhe problemet specifike dhe se ndjehen krenarë se tregtia mes tyre ishte trefishuar.

“Ne folëm për politikën, vështirësitë me të cilat përballet sot Serbia, si në rrugën evropiane ashtu edhe në marrëdhëniet me Prishtinën. Unë besoj se mund të mësoj shumë nga ai, dhe besoj se do të jemi në gjendje të ruajmë interesat kombëtare dhe shtetërore, megjithë vështirësitë e shumta dhe që në të njëjtën kohë ne do të jemi në gjendje të sigurojmë jetesë për qytetarët tanë”, tha ai.

Vuçiç theksoi se Serbia i është shumë mirënjohëse Zeman-it për pikëpamjet e tij ndaj Kosovës.

I pyetur në lidhje me zgjedhjen e Komisionerit të ri për Zgjerim të BE-së, Laszlo Trocani, Vuçiç tha se mirëpret zgjedhjet e tij dhe beson se kjo do të thotë shumë për përparimin e mëtutjeshëm të Serbisë në rrugën evropiane dhe se vendi do të ketë mbështetje shumë më të madhe sesa që kishte më parë.

Ndërsa rreth deklaratës së ish-kryeministrit kroat Zoran Milovanoviç se Vuçiç nuk do të shëtiste lirshëm në vendin e tij nëse bëhet president i Kroacisë, presidenti i Serbisë tha se ai gjithmonë ka dëshiruar bashkëpunim më të mirë me Kroacinë në të ardhmen.

“Unë rrallë shëtis kudo, veçanërisht nuk jam që lëvizi e as atlet, nuk shkoj në det në Kroaci, as kam shkuar apo nuk planifikoj të shkoj. Nuk kam nevojë për diçka të tillë. Unë gjithmonë kam dashur bashkëpunim më të mirë dhe do të dëshiroj që edhe ata në të ardhmen të shëtisin lirshëm në Serbi”, tha ai.

Më parë, ministrat e Mbrojtjes të të dyja vendeve nënshkruan një marrëveshje midis qeverive të Serbisë dhe Çekisë për bashkëpunim në mbrojtje si dhe memorandum bashkëpunimi për inovacione, inteligjencën artificiale dhe robotikën.

Vazhdojnë tensionet mes Turqisë dhe Greqisë

Anija eksploruese turke Yavuz.

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, tha të martën se Turqia “vazhdon të provokojë” në qasjen e saj ndaj Qipros, dhe se Ankaraja po izolohet ndërkombëtarisht.

Kryeministri grek i bëri komentet gjatë një takimi me presidentin Qipros, Nicos Anastasiades, kreu i parë i një vendi të huaj që vizitoi Athinën, qëkur Mitsotakis fitoi zgjedhjet e korrikut.

Vizita e Anastasiades bëhet një ditë pasi përpjekjet për të rifilluar negociatat për ribashkimin e ishullit u goditën nga deklarata e ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, i cili tha se qipriotët grekë duhej të binin dakord që qipriotët turq, të kenë barazi vendimmarrëse në qeverisjen e vendit.

Nikozia është në mosmarrëveshje me Turqinë që nga pushtimi turk, më 1974, i cili ka ndarë ishullin në dy pjesë: Qipron greke, e cila njihet ndërkombëtarisht si Qipro, dhe rajonin separatist të Qipros turke.

Qiproja turke njihet vetëm nga Turqia dhe është subjekt i sanksioneve ndërkombëtare.

Tensionet janë shtuar në periudhën e fundit, për shkak se Turqia pretendon se ka të drejtë të kërkimit të gazit natyror në rajonin e Qipros.

Ministri turk tha se shpimet për gaz natyror, në ujërat ku qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Qipros ka të drejta ekskluzive, do të vazhdonte për sa kohë që grekët qipriotë refuzojnë propozimin për të udhëhequr kërkimet bashkërisht me turqit qipriotë.

Turqia ka këmbëngulur gjithashtu se ka të drejtë të bëj stërvitje ushtarake në zonë, duke thënë se po mbron të drejtat e turqve qipriotë.

Turqia vazhdon të mbajë 35.000 në pjesën e ishullit, që ajo e njeh si shtet.

Bisedimet për bashkimin e ishullit janë ndërprerë disa herë gjatë disa dekadave. rel

Sllovenia fuqizon lidhjet ekonomike me Rusinë

Pallati presidencial në Slloveni.

Kryeministri slloven, Marjan Sarec, ka mbërritur në Moskë për një vizitë dy-ditore, gjatë së cilës ai do të zhvillojë bisedime me homologun e tij rus, Dmitry Medvedev.

Në këtë vizitë, kryeministri slloven është i shoqëruar nga një grup afaristësh sllovenë.

Medvedev dhe Sarec do të diskutojnë një “spektër të gjerë temash të bashkëpunimit dypalësh në tregti, ekonomi, energji, investime dhe sektorë të teknologjisë, si dhe bashkëpunim kulturor dhe humanitar”, thuhet në faqen e internetit të qeverisë ruse.

“Tregu rus është shumë interesant për ne. Dhe sigurisht, ne do të kërkojmë të gjejmë mundësi të reja për bashkëpunim, pavarësisht sanksioneve të Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Rusisë për veprimet e saj në Ukrainë”, citohet të ketë thënë kryeministri Sarec, sipas agjencisë ruse Tass.

Zyra e tij njoftoi se vizita do të përqëndrohet në bashkëpunimin ekonomik, por edhe në temat e politikës së jashtme.

Sarec dhe Medvedev gjithashtu pritet të marrin pjesë në zbulimin ceremonial të një monumenti kushtuar sllovenëve që vdiqën në tokën ruse gjatë të dy luftërave botërore.

Nuk dihet nëse kryeministri slloven do të pritet nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Parlamenti i Sllovenisë e zgjodhi Sarec – një rishtar politik – si kryeministër në gusht të vitit 2018.

Më parë, ai kishte punuar si kryetar i qytetit Kamnik në Slloveni. Ai gjithashtu ishte një zjarrfikës vullnetar.

Sarec ka punuar edhe për transmetuesin publik, ku u bë i njohur për imitimin e zërave të politikanëve në emisionet humoristike.

Palmer: SHBA sërish e përqëndruar në Ballkanin Perëndimor

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathhew Palmer (djathtas) dhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathhew Palmer, tha se me emërimin e tij në këtë pozitë, SHBA-ja tregon se është sërish e përqendruar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Palmer i bëri këto komente të hënën në Podgoricë, në takim me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e Markoviqit, Palmer tha se Mali i Zi është shteti më i suksesshëm multietnik në rajon dhe se “nuk është rastësi që Mali i Zi është shteti i parë që viziton pas marrjes së detyrës”.

Palmer u emërua përfaqësues për Ballkanin nga Departamenti amerikan i Shtetit më 30 gusht.

Duke e uruar për këtë post, Markoviq tha se vendimi për emërimin e Palmerit paraqet mundësi reale për përshpejtimin e realizimit të qëllimeve strategjike dhe se kontribuon në stabilitetin e gjithë rajonit.

Markoviq e cilësoi Palmerin si “njohës të shkëlqyeshëm të Ballkanit”.

Duke folur për Malin e Zi, Markoviq theksoi “suksesin e politikës ekonomike të Qeverisë”, e cila, sipas tij, jep “rezultate të shkëlqyeshme në zhvillim”.

Palmer bisedoi edhe me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. rel

Ish-diplomati serb: Vuçiç mos u lodh, Kosovën e kemi humbur

Ish-diplomati serb, Milan St. Protiç, që kishte shërbyer si ambasador i Serbisë në Washington, thotë se Vuçiq duhet të kuptojë që Kosova është humbur dhe nuk duhet të merret më me këtë çështje.

“Kosova është humbur, dhe nuk duhet harxhuar energji shtesë. Një gjë të tillë nuk e pranojnë vetëm politikanët e pa sinqertë. Ajo betejë është humbur”, ka thënë historiani serb Protiç, raporton Gazeta Express.

Teksa ka folur për vazhdimin e dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfshirjes së SHBA’së në këtë proces, Protiç thotë se ofensiva e fundit e SHBA’së për të zgjidhur problemin mes Prishtinës dhe Beogradit vjen si rezultat i zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në Amerikë në vitin 2020.

“SHBA’ja u fut në ofensive sa i përket zgjidhjes së çështjes së Kosovës, sepse u vlerësuar që një zgjidhje mund të arrihet para zgjedhjeve presidenciale”, ka shtuar tutje ish-diplomati serb, shkruan ‘Pravda’, transmeton Gazeta Express.

Protiç madje angazhimin aktual të SHBA’së e krahason me atë të para disa viteve, kur u arrit Marrëveshja e Dejtonit pas dështimit të Evropës që ta bindte Millosheviqin për bashkëpunim.

Sipas tij aktualisht Kosova nuk është tema kryesore globale, por që në rast të ardhjes së Joseph Biden si demokrat në krye të SHBA’ve, thotë se interesi për Kosovën mund të rritet.

Njeriu i Merkelit ia propozon Vuçiqit në Beograd idenë gjermane për finalen Kosovë – Serbi

Deputeti i Bundestagut gjerman nga radhët e CDU/CSU, Peter Beyer, gjatë takimit që ka pasur javën e kaluar me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, në Beograd, ka thënë se “Modeli i dy Gjermanive” është një ide për të cilën ia vlen ende të mendohet për zgjidhjen e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përveç tjerash Beyer ka ripërsëritur qëndrimin gjerman kundër shkëmbimit të territoreve dhe ka thënë se njohja e plotë e Kosovës është një kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkim Evropian, shkruan Gazeta Express.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian së fundi kanë ndezur motorët sa i përket çështjes së rinisjes së dialogut dhe arritjes së një marrëveshjeje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Express.

Washingtoni zyrtar ka përcaktuar Matthew Palmer-in si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, i cili do të merret ekskluzivisht me çështjen e bisedimeve Prishtinë – Beograd, ndërkohë duarkryq nuk ka ndenjur as kancelarja gjermane, Angel Merkel. Javën e kaluar në Prishtinë e Beograd ka qëndruar i dërguari i saj special deputeti i Bundestagut nga radhët e koalicionit CDU/CSU, Peter Beyer.

Beyer në Prishtinë ka takuar kreun e LDK-së, Isa Mustafa, dhe kryeministrin e dorëhequr, Ramush Haradinaj.

Pas Kosovës deputeti gjerman ka vazhduar për një vizitë në Beograd, ku ka takuar kreun e shtetit serb, Aleksander Vuçiq, ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiq dhe Marko Gjuriqin.

Ndërkohë sot mediat serbe shkruajnë se Beyer në takim me Vuçiqin ka propozuar “Modelin e dy Gjermanive”, si ide për të cilën ka thënë se ia vlen të mendohet.

“Harta e rrugës është e qartë, dy palët, Serbia dhe Kosova, duhet të punojnë për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Ne kemi folur për procesin e njohjes. Sigurisht që ne mendojmë se do të ishte më mirë që anëtarësimi i Serbisë në BE të vijë si rezultat i njohjes së plotë të pavarësisë së Kosovës, por ne e dimë që një gjë e tillë është e ndërlikuar dhe pothuajse e pamundur. Sepse ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës, dhe nuk është një çështje e thjeshtë, megjithatë ky koncept dhe propozim nuk është i ri. Ky është një koncept që ne e kemi pasur një herë në mes të dy Gjermanive, që rezultoi me ribashkimin e dy Gjermanive, gjë që nuk është dëshira jonë në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Gjermania Lindore dhe Gjermania Perëndimore bashkëjetuan në aspektin e organizatave ndërkombëtare, por nuk e njihnin njëra tjetrën. Një lloj i tillë bashkëjetese do të ishte i mundshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë kam folur për një gjë të tillë me presidentin e Serbisë, dhe është një ide për të cilën ende ia vlen të mendohet”, citohet të ketë thënë Beyer, shkruan Blic.rs, transmeton Gazeta Express.

Ndër të tjera deputeti gjerman ka treguar se ia ka ripërsëritur kreut të shtetit serb, qëndrimin e palëkundur gjerman kundër idesë së shkëmbimit të territoreve.

“Edhe presidenti edhe ministrat janë të vetëdijshëm për pozicionin tim dhe atë të Gjermanisë. Ne jemi kundër idesë së shkëmbimit të territoreve”, ka thënë Beyer.

Tutje, teksa ka folur për anëtarësimin e Serbisë në BE, Beyer ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pa njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Pritet të zëvendësojë Johannes Hahn si Komisionere e Zgjerimit, mësoni kush është deputetja kroate

Postin e Komisionerit për Zgjerimin në Bashkimin Europian mund ta marrë eurodeputetja kroate Dubravka Suica. Lajmi nuk është konfirmuar zyrtarisht, por burime diplomatike në Bruksel thonë se zonja Suica është pjesë e listës që do të prezantohet të martën nga presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.

Eurodeputetja kroate, Dubravka Šuica, pritet të kandidohet në postin e Komisionerit për Zgjerimin dhe Fqinjësinë nga presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.

Lajmi nuk është konfirmuar zyrtarisht, por burime diplomatike në Bruksel thonë se zonja Suica është pjesë e listës që do të prezantohet të martën.

Pasi të prezantohet përbërja e Komisionit, duhet të merret në tërësi edhe votëbesimi i Parlamentit Europian, ndërsa më parë do të zhvillohen edhe seanca dëgjimore me të gjithë kandidatët e përzgjedhur nga zonja von der Leyen. Mandati i Komisionit të ri Europian do të fillojë zyrtarisht më 1 nëntor 2019.

Por kush është Dubravka Suica?

Ajo është anëtare e Bashkimit Demokratik Kroat që prej vitit 1990, ndërsa nga viti 2001 deri në vitin 2009, ka shërbyer si kryebashkiake e Dubrovnikut.

Kur Kroacia u anëtarësua në Bashkimin Europian në vitin 2013, Suica u zgjodh eurodeputete. Këtë vit ajo u zgjodh edhe nënkryetare e grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane.

Nëse kandidatura e saj konfirmohet, atëherë ky është një lajm i mirë për aspiratat e Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Ndërsa në rastin e Serbisë, në disa raste Šuica ka deklaruar se nuk është realiste që Serbia të anëtarësohet brenda vitit 2025.

Në një deklaratë të bërë në maj të vitit të kaluar, ajo tha se Serbia duhet të paraqesë më herët listën e personave të zhdukur gjatë luftës si dhe të kthejë pasuritë e trashëgimisë kulturore.

Deri tani, postin e Komisionerit për Zgjerimin e ka mbajtur Johannes Hahn, i cili pritet të marrë një portofol të ri në kabinetin e ardhshëm.

Turqi: 9 vjet burg për politikanen e opozitës, për fyerje të presidentit Erdogan

Një gjykatë turke dënoi të premten një figurë të njohur të opozitës me nëntë vjet e tetë muaj burg për fyerje të presidentit dhe përhapje të propagandës terroriste.

Partia Republikane e Popullit (CHP) tha se Kanan Kaftançollu, kryetarja e degës së saj të Stambollit dhe një prej zërave më të fortë brenda partisë, nuk do të shkojë menjëherë në burg, pasi është në pritje të apelimit.

Kaftançollu akuzohet gjithashtu për fyerje të qeverisë, duke nxitur urrejtje dhe armiqësi, kryesisht me komentet në Twitter të postuara mes viteve 2012 dhe 2017.

Kaftançollu luajti rol të rëndësishëm në zgjedhjet lokale të Stambollit, ku partia CHP mori bashkinë, e cila mbahej nga Partia AK e Presidentit Erdogan dhe paraardhësit e tij islamistë gjatë 25 viteve të fundit.

Duke folur jashtë gjykatës kryesore të Stambollit pas vendimit, zonja Kaftançollu tha se nuk do të heshtë.

“Nëse vendimi i gjykatës nuk është në përputhje me ligjin dhe është i formular nga dëshirat e fuqisë politike, kjo do të thotë se në këtë vend nuk ka ligj,” u tha ajo gazetarëve. za

Daçiçi ia kujton Palmerit bashkëshorten serbe: Nga vjen gruaja juaj, andej vini edhe ju (video)

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka “vjedhur spektaklin” në një takim me përfaqësuesin special amerikan për Ballkanin, Matthew Palmer dhe me kryediplomatin kosovar, Behgjet Pacolli, në Bled të Sllovenisë.

Daçiç foli për bashkëshorten e Palmerit, e cila është serbe. “Kur bëhet fjalë për Matthew, ne e njohim njëri-tjetrin për shumë vite dhe nuk pres asgjë nga ai, por shumë nga gruaja e tij, e cila ka prejardhje nga ky rajon”, deklaroi Daçiç, teksa ky deklarim i tij shkaktoi të qeshura te të pranishmit në sallë.

“Një fjalë e urtë e jona thotë se ‘nga vjen gruaja juaj, andej vini edhe ju’”, u shpreh Daçiç, si të thuash shprehjen shqiptare shumë të njohur ‘nga fshati i gruas’.

Pasi u kthye në seriozitet, Daçiç tha se Palmerin e pret një punë e vështirë në rajon.
“Nuk ka punë të lehtë, por Serbia do të jetë konstruktive, prioritete janë situata në BH, fillimi i bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, a do ta fitojë Kosova liberalizimin dhe cila është perspektiva e regjionit”, tha ai.

Serbët, shtoi ai, “nganjëherë mendojmë se raporti mes Prishtinës dhe Beogradit është prioriteti kryesor, por ai ka edhe tema tjera”.

Palmer ka kaluar një sasi të mirë të jetës dhe karrierës së tij duke punuar në Ballkan. Detyra e tij e parë ishte në Shërbimin e Jashtëm në Ambasadën e SHBA në Serbi. Ai më vonë shërbeu në Uashington dhe si këshilltar politik në Beograd, ku ndihmoi ndërmjetësimin e “Marrëveshjes së 19 Prillit” midis Serbisë dhe Kosovës.

Rrufeja godet avionin ku ndodhej dhe Daçiçi, piloti bën ulje emergjente

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç ka përjetuar momente tensioni, pasi avioni në të cilin udhëtonte ka bërë ulje të detyrueshme në Slloveni. Shkak është bërë një rrufe, e cila ka goditur avionin. Mediat serbe raportojnë se ngjarja në fjalë u regjistrua në Lubjanë, duke shkaktuar panik të madh tek pasagjerët.

“U dëgjua një shpërthim i vogël. Por askush nuk mund të bënte asgjë për ne”, mësohet të jetë shprehur Daçiç. Një stuhi e fortë goditi dje Slloveninë dhe Kroacinë, ku në vetëm 2 orë u regjistruan më shumë se 20,000 rrufe.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë kur fluturimet për Daçiç kthehen në probleme, pasi në fund të majit avioni ku ai udhëtonte bëri ulje të detyrueshme në Athinë.

Katër vjet nga vdekja e vogëlushit Alan, refugjatët ende presin ndihmë

Ankara

Sot janë mbushur katër vjet që kur trupi i Alan Kurdit, një refugjat trevjeçar sirian, u soll nga valët në bregdetin Mesdheut në Bodrum të Turqisë.

Vogëlushi sirian gjendej në një varkë që mbante 14 emigrantë të parregullt, nga të cilët pesë vdiqën kur ajo u fundos.

Fotografia e trupit të tij të pajetë tronditi mbarë botën, duke pasqyruar krizën humanitare që kishte shkaktuar lufta civile në Siri.

Uğur Özdoğan, një dëshmitar okular 75-vjeçar, tha për AA se tragjedia e kishte prekur thellë atë.

“Ndoshta shumë fëmijë si Alan Kurdi u zhdukën, por kufomat e tyre nuk u sollën nga valët në bregdet”, tha ai.

Ai shtoi se incidente të ngjashme do të përsëriten nëse nuk merren masa të rrepta kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Regjisori Ömer Sarıkaya aktualisht është duke përgatitur një film për vogëlushin Kurdi për të hedhur dritë mbi fatin e refugjatëve.

“Evropa e la Turqinë vetëm në çështjen e migrantëve. Turqia hapi dyert e saj sepse këta njerëz janë fqinjët tanë dhe nuk kanë ku të shkojnë”, tha Sarıkaya.

Ai tha se të ardhurat e siguruara nga filmi do t’u dhurohen refugjatëve, duke shtuar se krahas shumë aktorëve vendas dhe të huaj, në film marin pjesë edhe politikanë dhe refugjatë të vërtetë.

Vuçiçi: “Serbia do të ketë presione pas formimit të qeverisë në Kosovë”

Beograd

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, para Bordit Kryesor të Partisë Progresive Serbe (SNS) tha se Serbia do të jetë në presion të madh sapo të formohet qeveria në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Vuçiç, i cili është edhe kryetar i SNS-së, tha se Serbisë do t’i bëhet presion që të pranojë pavarësinë e Kosovës pa kompromise, por se Kosova nuk do të fitojë njohjen, duke shtuar se presioni do të jetë tmerrësisht i lartë.

Ai tha se nuk e di nëse Lista Serbe do të garojë në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, por i këshilloi që të garojnë në këto zgjedhje, duke theksuar se do të jenë të vështira për këtë subjekt politik.

Temë e bisedimeve të mbledhjes ishin edhe zgjedhjet e rregullta lokale dhe parlamentare në Serbi të cilat duhet të mbahen në vitin 2020.

Duke folur për propozimin e opozitës që të formohet qeveri teknike (e përkohshme) para zgjedhjeve, duke marrë si model qeverinë teknike të formuar në Maqedoninë e Veriut para zgjedhjeve të vitit 2016, Vuçiç tha se ka vendosur që “sa të jetë gjallë, nuk do të ketë asnjë qeveri të përkohshme, por qeveri të popullit për të cilën do të votojnë qytetarët”.

“Qeveria e Serbisë nuk do të përcaktohet nga të huajt, por nga qytetarët e Serbisë. Sa të jem gjallë do ta mbroj Kushtetutën dhe këtë shtet”, tha Vuçiç.

Ai porositi se “Serbia për asnjë send nuk ia jep askujt lirinë e atdheut”.

Vuçiç paralajmëroi se nëse partia e tij e fiton besimin e qytetarëve, në qeverinë e Serbisë do të ketë 50-60 për qind ministra nga kjo parti.

“Të dëshmojmë se ne nuk jemi rritur me kolltuk, se për ne është e rëndësishme që Serbia të ecë para, se ne nuk jemi të përkushtuar për pasurimin personal”, tha Vuçiç.

Zgjedhjet e reja, paralajmërohet vizitë e Vuçiçit në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, mund të vijë në shtator që t’i vizitojë serbët e Kosovës. Ai pritet të vizitojë Banjsken, Mitrovicën e Veritu dhe Qendrën e Kosovës, komunën e banuar me serbë, Gracanicën.

Kjo vizitë po planifikohet që Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiç t’i vizitojë serbët e Kosovës, pasi që Lista Serbe është në panik se do t’i humbë zgjedhjet në Kosovë.

Serbët që jetojnë në Kosovë janë të zhgënjyer shumë ndaj Listës Serbe për politikat të cilat i kanë ndjekur. Ata asgjë nuk kanë punuar dhe ndihmuar popullin serb, përpos që janë pasuruar edhe më tej.

Popullin serb tani kanë filluar ta frikësojnë në forma të ndryshme nga shërbimet sekrete serbe.

Stefanoviq: Asnjë ndryshim i qëndrimit për Kosovën në INTERPOL

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, tha se që nga Asambleja e Përgjitshme e INTERPOL-it, vitin e kaluar në Dubai ku është kundërshtuar kërkesa e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, nuk ka pasur asnjë zhvillim që do të sillte ndryshimi të atij vendimi.

Siç thuhet në komunikatën e MPB-së serbe, të cilën e transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Stefanoviq po ashtu tha se pranimi eventual i Kosovës në INTERPOL, do të krijonte mundësinë që informacionet konfidenciale “të binin në duart e kriminelëve dhe terroristëve”.

Komunikata po ashtu sqaron se Stefanoviq i ka bërë këto komente në takim me ambasadorin e Venezuelës në Beograd, Dimas Jesus Alvarenga Guerra.

Ambasadori Guerra theksoi se Venezuela respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë.

Më 20 nëntor të vitit 2018, Kosova nuk ka arritur të anëtarësohet në INTERPOL, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate.

Tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga institucionet e Kosovës.

Maqedonia e Veriut dhe Serbia me menaxhim të integruar të kufirit

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Lëvizja e qytetarëve dhe e mallrave nga Maqedonia e Veriut në Serbi dhe anasjelltas nga e hëna po zhvillohet vetëm përmes një pikë kufitare.

Kryeministrat e dy shteteve, Zoran Zaev dhe Ana Bërnabiq, përuruan zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit në vendkalimin Tabanoc-Preshevë.

Ky akt nga dy krerët e qeverisë u vlerësua si shumë i rëndësishëm, jo vetëm për bashkëpunimin ekonomik, por edhe për bashkëpunimin dhe zhvillimin e rajonit në përgjithësi.

“Kontrolli i përbashkët kufitar është kurorëzim i fqinjësisë së mirë mes dy shteteve. Me konceptin e ri do të përshpejtohet lëvizja e qytetarëve, e mallrave dhe e mjeteve transportuese, do të rritet numri i turistëve në të dyja shtetet, si dhe numri i turistëve tranzit. Kontrollet do të bëhen në një vend. Do të ketë njohje të ndërsjella të certifikatave ndërkombëtare dhe me këtë do të ketë edhe më pak mashtrime doganore. Do të rritet niveli i besimit, do të rritet tregtia, do të ulet korrupsioni”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Kryeministrja serbe tha se menaxhimi i integruar i kufirit është sinjal për nxitjen e tregtisë rajonale dhe për kalimin më të shpejtë të mallrave.

Por, ajo kritikoi, me këtë rast, vendimin e Kosovës për aplikimin e taksave për prodhimet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, duke theksuar se Serbia do të kërkojë zgjidhje alternative në arritjen e marrëveshjeve me shtetet tjera.

“Ky është një fillim i ri për bashkëpunimin ekonomik rajonal në Ballkanin Perëndimor. Për këtë na nevojitet vizion dhe guxim politik dhe jo politika shkurtpamëse. Bashkëpunimi rajonal gjendet para sfidave të mëdha për shkak të suspendimit praktik të marrëveshjes (për tregti të lirë në Evropën Qendrore) CEFTA nga ana e Prishtinës”.

“Ky vendim nuk ishte vendim vetëm kundër tregtisë me Serbinë qendrore dhe Bosnje e Hercegovinën në nëntor, 2018. Ky vendim i ka lëkundur të gjitha marrëveshjet rajonale. Për shkak të kësaj, nevojitet guxim dhe përgjegjësi politike dhe, në vend të politikave populiste, të fokusohemi në atë që është interes i rajonit, bashkëpunimit rajonal, siç është edhe akti i sotëm. Është politikisht më e mençur të lidhemi sesa të bllokohemi”, tha kryeministrja serbe, Bërnabiq.

Përmes vendkalimit kufitar Tabanoc-Preshevë, vitin e kaluar, kanë kaluar rreth 200 mijë kamionë, çfarë do të thotë një e katërta e gjithë kalimeve të automjeteve.

Kryeministri Zoran Zaev tha se pret që këtë vit ky numër të rritet për 30 për qind apo në rreth 260 mijë automjete të rënda. rel

Prokuroria letërporosi në Greqi për Agim Kajmakun, i kërkohen edhe shenjat e gishtërinjve në Policinë Shkencore

Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar një letërporosi në Greqi për të marrë informacion mbi kryetarin e bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku. Prokuroria kërkon nga autoritetet greke të dhëna për Agim Kajmakun (Jorgo Toto) nëse është i dënuar në këtë shtet. Report Tv po ashtu mëson se Njësia e Dekriminalizimit i ka kërkuar Agim Kajmakut që të depozitojë në policinë shkencore gjurmët e gishtërinjve. Burime për Report Tv bëjnë me dije se letërporosia nga Prokuroria e Përgjithshme e firmosur nga prokurori Arben Kraja është nisur ditën e premte. Pas asaj për Valdrin Pjetrin ku i kërkohet informacion shtetit italian, kjo është lëtërporosia e dytë që firmoset nga Kraja për të marrë informacion mbi figurën e një kryebashkiaku të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.

Kjo lëvizje e Prokurorisë së Përgjithshme ka ardhur pas akuzave të Partisë Demokratike ku deklaronin se Agim Kajmaku ka qenë i dënuar më parë në Greqi. Ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi i cili ka firmosur një kërkesë drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për të verifikuar figurën e Agim Kajmakut, disa ditë më parë. Kujtojmë se për shkak të disa dokumenteve që Partia Demokratike nxori kundrejt Valdrin Pjetrit në Shkodër, ky i fundit u tërhoq nga marrja e detyrës së kryetari të Bashkisë së qytetit verior, pasi dyshohet se është dënuar në vitin 2003 për trafik droge. Por nga ana e Kajmakut nuk kemi një tërheqje dhe ai deri më tani ka rrëzuar pretendimet e Partisë Demokratike se është i dënuar dhe i dëbuar nga shteti grek. Në një reagim për Shqiptarja.com ai deklaroi se ka udhëtuar lirisht në çdo vend të Bashkimit Evropian, për shkak edhe të biznesit të tij. Kajmaku tha se këto akuza janë për qëllime politike.

Ndërkohë nga ana tjetër Partia Demokratike ka deklaruar se do të nxjerrë edhe dokumente për dëbimin e Kjamakut nga Greqia.

Autobusi i mbushur me shqiptarë sulmohet në Serbi. Kosova reagon ashpër dhe fajëson Daçiçin

Një autobus i linjës Prishtinë-Frankfurt në Gjermani është sulmuar mbrëmjen e shkuar në Krushevac të Serbisë.

 

Nga sulmi, fatmirësisht nuk ka pasur persona të penduar por vetëm thyerje xhamash, përfshirë edhe xhamin e përparmë të mjetit të transportit të udhëtarëve.

Mjeti ishte duke kaluar në Krushevac kur është gjuajtur me gurë në drejtim të tij, raportojnë mediat kosovare.

Edhe pse i përkiste një agjencie kosovare, autobusi është me targa të Shqipërisë. Policia serbe ka nisur hetimet për rastin dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e agresorëve.

Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë për Gazetën Express se ky sulm tregon pengesat me të cilat po përballen qytetarët e Kosovës gjatë udhëtimit nëpër Serbi.

Zëdhënësi i MPJ-së, Jetlir Zyberaj, ka thënë se sulmet e tilla janë shqetësuese.

“Ne e dënojmë fuqishëm sulmin ndaj autobusit që udhëtonte nga Kosova përmes Serbisë. Ky sulm tregon përsëri pengesat me të cilat përballen qytetarët e Kosovës gjatë udhëtimit nëpër Serbi. Nuk ka liri të lëvizjes. Ne jemi thellësisht të shqetësuar që sulmet e vazhdueshme si ajo në Konsullatën e Kosovës në Kopenhagë dhe tani ndaj autobusit nuk po ndalen nga Beogradi dhe mbështeten nga mekanizmat e sigurisë serbe”, ka thënë Zyberaj.

Zyberaj ka shtuar se MPJ është në kontakt me BE-në dhe kërkon përgjegjësi të plotë nga Beogradi për këto sulme.

Po ashtu, ai ka shtuar se MPJ u bën thirrje qytetarëve që t’u shmangen udhëtimeve përmes Serbisë, derisa nuk ka siguri për ta.

“Përderisa Ministri Daçiç si ish-zëdhënës i Millosheviçit i bën të gjitha përpjekjet e tij për lajme të rreme dhe propagandë kundër Kosovës, ai duhet të përqendrohet në ndalimin e incidenteve që janë iniciuar nga vetë Beogradi. Ne jemi në kontakt me BE dhe kërkojmë përgjegjësi të plotë dhe garancione nga Beogradi për sigurinë nëse qytetarët tanë udhëtojnë nëpër Serbi. Gjithashtu përsërisim thirrjen e MPJ së Kosovës që të shmanget udhëtimi nëpër Serbi përderisa nuk ka siguri për Kosovarët dhe incidentet vazhdojnë. Kjo është vazhdimësi e incidenteve dhe jo rast i izoluar”, ka thënë Zyberaj.

Autobusi po udhëtonte nga Prishtina për në Frankfurt, kur u godit derisa po kalonte nëpër Serbi. Sipas dëshmitarëve të rastit, autobusi ishte kryesisht i mbushur me shqiptarë që po udhëtonin për në perëndim.

Një dëshmitar ka treguar se nuk ka ndonjë të lënduar dhe autobusit i janë thyer vetëm xhamat.

Vuçiç, pas kthimit nga Amerika: Serbinë e pret një dimër i vështirë lidhur me Kosovën

Presidenti i Serbisë,  Aleksandër Vuçiç, duke folur për vizitën e tij të fundit në SHBA, tha sot se nuk mund të interpretojë apo të flasë për rëndësinë e vizitave të tij, “por çdo bisedë me përfaqësuesit e fuqisë kryesore në botë është shumë e rëndësishme, veçanërisht kur bëhet fjalë për gjëra që nuk kemi dakord”.



“Këto nuk janë gjëra të lehta as të thjeshta për ne, do të ketë probleme”, tha Vuçiç, i cili ka pasur një numër takimesh në SHBA lidhur me çështjen e Kosovës.

“Ne do të luftojmë në kushte të vështira, nuk do të jetë e lehtë. Do të shohim se si do të duket krejt kjo. Sigurisht nuk presim ditë të lehta, as një vjeshtë të lehtë dhe as një dimër të thjeshtë për ne”, tha Presidenti serb për TV ‘Pink’.

Ai tha se nuk ishte hera e parë që Serbia është në një situatë të tillë, por se ai do të vazhdojë të luftojë për Serbinë, për popullin serb në Kosovë, për interesa kombëtare dhe shtetërore.

“Dhe, të presim që të rrjedh mjalti e qumështi , t’ju them që kam bërë punë fantastike, duke ndryshuar mendjen e tyre …  Ne jemi shumë të vegjël për të ndryshuar mendjen e të mëdhenjve”, tha Vuçiç.


Send this to a friend