VOAL

VOAL

Vazhdojnë protestat antiqeveritare në Bullgari

Sofje

Në Bullgari ku protestat antiqeveritare kanë hyrë në ditën e 30-të, mijëra njerëz në kryeqytetin e Sofjes dhe në disa qytete të tjera dolën përsëri në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Boyko Borisov dhe të kryeprokurorit Ivan Geshev, transmeton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit në Sofje, që u organizuan nëpërmjet mediave sociale, u tubuan para ndërtesës së kabinetit të ministrave dhe brohorisnin slloganet “dorëheqje”, “mafia”, “drejtësi dhe demokraci”.

Protestuesit të cilët pas tubimit para ndërtesës së kabinetit të ministrave marshuan rrugëve të kryeqytetit, në tre kryqëzime vendosën çadrat e tyre të cilat forcat e sigurisë i hoqën me forcë. Kryqëzimet u mbyllën për trafikun dhe u lanë të lira vetëm korsitë për kalimin e ambulancave.

Pavarësisht se Ministria e Punëve të Brendshme kishte marrë masa intensive të sigurisë para ndërtesave publike që ishin në rrugën e marshimit, protestuesit hodhën vezë dhe domate ndaj ndërtesës së kabinetit të ministrave.

Protestuesit, të cilët nuk mbanin simbole të asnjë partie politike, njoftuan se do të vazhdojnë aktivitetet e tyre deri në dorëheqjen e qeverisë dhe shpërbërjen e parlamentit.

– Presidenti Radev shpreh mbështetje për protestuesit

Ndërkohë, presidenti Rumen Radev, i cili është opozitar, në rrjetet sociale shprehu mbështetje për protestuesit.

“Organet ekzekutive, që shmangin përgjegjësinë politike, përdorin forcat e sigurisë kundër mijëra bullgarëve”, shkroi Radev.

Ai tha se ata që janë në pushtet në një situatë të tensionuar politike, më parë janë të gatshëm “të sakrifikojnë paqen dhe qetësinë shoqërore”.

“Sikurse e sheh edhe media botërore, protestat që vazhdojnë prej një muaji në të gjithë vendin, duan t‘i japin fund sistemit mafioz në vend”, shtoi presidenti bullgar.

Greqia e gatshme të nisë bisedimet me Turqinë për zonat detare

Greqia njoftoi sot se është gati të nisë bisedimet me Turqinë për zonat detare që dy vendet po diskutojnë për të shfrytëzuar në Detin Egje.

Turqia pezulloi kërkimet e saj për naftë dhe gaz jashtë një ishulli grek muajin e kaluar, pasi ato rritën tensionet mes dy vendeve.

“Jemi gati të diskutojmë të gjitha mosmarrëveshjet me Greqinë pa kushte”, deklaroi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, më 28 korrik.

“Po presim të shohim nëse Turqia synon seriozisht ta bëjë këtë. Ne jemi gati të bisedojmë që këtë muaj”, tha zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, siguroi dje se ishte i gatshëm të diskutonte me Turqinë për kufijtë e zonave detare në Detin Egje dhe në Mesdheun Lindor.

Vuçiç në Samitin e Ballkanit Perëndimor: Merkel s’mund të marrë vendime për ne, heqim proceset burokratike për kufij të hapur

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ashtu si liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor në Samitin e sotëm online ka mbështetur idenë për kufij të hapur.

SipasVuçiçit Samiti i sotëm ishte një seancë produktive dhe se duhet zvogëluar proceset burokratike për kufij të hapur që sjell edhe kursim parash për shtetet.

Vuçiç gjithashtu tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkëpunojnë dhe të bëjnë hapa të shpejtë dhe mos presin BE-në pasi nuk mund të marrë Merkel vendime për to.

“Kemi pasur një seancë prodokutive. Unë duhet të lavdëroj punën tuaj dhe të gjitha të tjerat që janë të rëndësishme për Serbinë. Ne po flasim për një paketë europiane që është e rëndësishme për ne. Së pari duhet të ndryshojmë veten për t’iu përkushtuar më shumë rajonit tonë, për të mos e nënvlerësuar veten dhe të kemi më shumë besim tek njëri-tjetri. Duhet të jemi më të shpejtë në rajon, varet nga ne. Angela Merkel nuk mund të marrë vendime për ne.
Nëse zvogëlojmë të gjitha këto procedura dhe të gjitha këto procese burokratike, përfundimi është se mund të kursejmë më shumë para. Kjo do të thotë që ju duhet të ndaloni të gjykoni fuqinë tonë. Ne duhet të punojmë së bashku për të zgjidhur problemet tona dhe të jemi shumë më të respektuar nga Shtetet e Bashkuara dhe BE. Ne duhet të bashkëpunojmë dhe të punojmë së bashku sepse të gjithë jemi shumë të vegjël. Kjo është mënyra e vetme për të arritur diçka”- tha Vuçiç.

VIRUSI KOVIDIAN I MOS-BASHKIMIT E KA PREKË POLITIKËN SHQIPTARE NË MALIN E ZI – Nga Ramiz LUSHAJ

 

Washington, 8 prill 2014. Kur kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ishte për vizitë pune në Shtëpinë e Bardhë, iu kërkua nga Zëvendëspresidenti Joe Biden, kandidati i sotëm për President i Amerikës dhe nga kongresmeni amerikan, Eliot Engel, aktualisht dhe kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Kongresin Amerikan, që t’i mirëzgjidhte kërkesat e problematikat e shumta të Shqiptarëve në Malin e Zi, ai ishte dakord. Krejt dakord. Veçse, me sa më kanë thanë, kishte një kusht. Të vetmin kusht. Përafërsisht kështu. Kësisoj: Të mblidhen të gjitha partitë politike shqiptare së bashku e të më paraqesin një listë të vetme me kërkesat e tyre…!

Natyrisht, Krajl Nikolla i Riu, Milo Gjukanoviçi kryeministër e president i Malit të Zi në dy shekuj, edhe prej vetit, por kryesisht e detyrimisht prej faktorëve gjeo-politik-diplomatik euro-atlantik, ballkanik, panshqiptar, ua plotësoi disa kërkesa, i kreu disa zgjidhje problemesh, por jo gjithnji, jo përgjithnji, jo të gjitha, se ky “dekan i politikës ballkanike” ua di “sëmundjen e keqe” Shqiptarëve në Malin e Zi. Sëmundjen e keqe, kancerogjene: Mos-Uniteti. Mos-Bashkimi…!

Edhe kur “virusi covidian” i përçamjes ndërshqiptare, i mos-bashkimit nacional e politik, nuk i prek randshëm me aspiratorim partitë politike shqiptare në Malin e Zi, Gjukanoviçi ua gjen “shiringën” me njerëzit e Shtetit e të Kabinetit të Vet Qeveritar, kurse Ne-Shqiptarët e Ilirikut e Dy Anëve të Atlantikut, ende nuk po e gjejmë “vaksinën e shpëtimit të kësaj sëmundjeje nacionale”. N’msa për Sars-2/ Covid-19 (!)

Kjo e keqe përbrenda Nesh, edhe kësaj here, doli sheshit. Edhe kundër Gentit e Teutës, Balshajve, Buzukut, Jakup Ferrit, Çun Mulajt, Ded Gjo Lulit, Mujo Ulqinakut, Cafo Beg Ulqinit, Esad Mekulit…Dhe të sotmëve: Mark Gjonit…Ali Dacit. Kundër çdo shqiptari atdhetar nga Bregdeti Adriatik Mesëm në Alpet Shqiptare (Bjeshkët e Bekuara), në Ballkan e Europë e deri në Amerikë.

Sepse, prapë Shqiptarët e Malit të Zi, partitë e tyne politike, nuk po dalin me nji Listë të Vetme, po janë nda e përça në dy grupime politike elektorale, janë kthye mbrapa, tek Viti Elektoral 2012 e 2016…!

Sepse, disa-sish, shumë-sish nga rraca e politikanëve: janë mbrapsht, janë mbrapa, janë në mbrapshti, prej “Covidit Politik” të pjellës së vet politike e të mbarsjeve të kahershme e derisotme politike kundërshqiptare krajlnikolliane e gjukanoviçiane: janë kthye mbrapa, tek Viti Elektoral 2012 e 2016…!

Zoti i Ndihmoftë! Amin!

Serbia do të blejë një flotë me avionë bombardues – akuzon perëndimin për armatosjen e fqinjëve të saj

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se vendi i tij do të vazhdojë të fuqizojë forcat e armatosura dhe po kërkon të blejë më shumë avionë ushtarakë, mes tensionesh në Ballkan.

Ai tha të dielën se janë ndërmarrë “nisma të caktuara” për të blerë një flotë të avionëve bombardues, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe vende tjera perëndimore për armatosjen e fqinjëve të Serbisë që janë pjesë e NATO-s, përfshirë edhe Kosovën.

“Amerikanët, turqit dhe gjermanët po kujdesen për fëmijën e tyre të dashur”, tha ai duke ju referuar Kosovës, duke shtuar se Uashingtoni kohët e fundit i ka dorëzuar një numër automjetesh të blinduara Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjatë fundjavës në Kosovë ka arritur një pjesë e automjeteve ushtarake amerikane të tipit Humwee të cilat ishin kontraktuar nga qeveria e Kosovës në korrik të vitit 2018. Një pjesë e tyre janë dhuratë për Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila në dhjetor të vitit 2018 u shndërrua në ushtri të saj duke nxitur reagimin e Beogradit i cili kundërshton pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008.

Gjatë një vizite në një brigadë tankesh të ushtrisë serbe, presidenti serb tha se vendi i tij nuk mund të garojë me “dhuratat e NATO” për fqinjët e tij kur bëhet fjalë për armë dhe “prandaj duhet ta bëjë vet këtë”.

Presidenti serb nuk e sqaroi se çfarë lloj avionësh ushtarak planifikon të blejë Serbia, por mediet pro-qeveritare thanë që kishte kërkuar zyrtarisht nga Shtetet e Bashkuara mundësinë e blerjes së 20 syresh.

Raportet thanë që Uashingtoni nuk i është përgjigjur ende kërkesës së Beogradit dhe se në rast të refuzimit, ka të ngjarë që Serbia të blejë avionë rus të tipit “Sukhoi-25”.

Serbia, e cila ka shpallur neutralitetit ushtarak, së voni ka pranuar sisteme kundërajrore nga Rusia e cila e ka furnizuar edhe me avionë ushtarak, helikopterë dhe autoblinda.

Kina një aleate tjetër e Serbisë i ka dorëzuar dronë ushtarakë.

Zyrtarët amerikanë në të kaluarën kanë folur hapur për vendosjen e sanksioneve kundër Serbisë, nëse Moska dërgon më shumë armë, veçanërisht të tilla që mund të kërcënojnë sigurinë e vendeve fqinje, anëtare të NATO-s.

Armatosja ruse dhe kineze e Serbisë është parë me shqetësim në perëndim dhe nga fqinjët e saj mes tensionesh në rritje në Ballkanin që përjetoi luftëra shkatërruese në vitet e 90-ta. zëri i amerikës

Vuçiq: Nëse nuk i tërhiqet vërejtja Kosovës, do të vazhdojmë fushatën për çnjohje

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, se lobimi për njohjen e Kosovës nuk është pezulluar, duke thënë se ai do të presë për të parë se cila do të jetë organizata e parë ndërkombëtare ku do të aplikojë Kosova për anëtarësim dhe a do ta njohë dikush pavarësinë e Kosovës.

“Në atë ditë, nëse mentorët e tyre nuk ua tërheqin vërejtjen, ne do të vazhdojmë fushatën tonë (kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës) dhe u premtoj atyre që do të jemi pesë herë më të suksesshëm”, tha Vuçiq para gazetarëve gjatë një vizite në Sremska Mitrovicë.

Vuçiq tha se deklarata e Hotit tregoi se “nënshkrimi i shqiptarëve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe (Zajednica) dhe fjala e dhënë (tek i dërguari amerikan për dialog Richard) Grenellit, nuk do të thotë asgjë”.

Vuçiq gjithashtu tha që delegacioni serb ishte i gatshëm për bisedime mbi ekonominë dhe se delegacioni i Kosovës erdhi në ato bisedime, siç tha ai, me kërkesë për kompensim të luftës.

“Kjo është ekonomi për ta, sepse ata nuk kanë fabrika dhe investime. Ne për këtë nuk do të flasim fare. Dialogu duhet të vazhdojë, por nëse thirrja është ‘Ejani të firmosni pavarësinë e Kosovës’, as mos na thërrisni. Ne jemi gjithmonë për dialog dhe kompromise që çojnë në zgjidhje”, tha Vuçiq.

Kryeministri Hoti, gjatë një raportimi në Kuvendin e Kosovës të premten mbi dialogun me Serbi duke folur për lobimin për Kosovën tha se “nuk ka pezullim të aktiviteteve tona”.

“Nuk ka pezullim të aktiviteteve tona, jemi dakorduar me partnerët tanë që anëtarësimi jonë në organizatat ndërkombëtare të bëhet bashkë me ta, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtar. Kjo është e vërteta”, tha ai.

I dërguari i posaçëm për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, para takimit të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor për rifillimin e dialogut mes dy palëve, kishte thënë se Serbia është pajtuar që të pezullojë përkohësisht fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe Kosova është pajtuar të pezullojë përpjekjet për t’u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë, për t’i dhënë shans vazhdimit të dialogut.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte anuluar pas publikimit të aktakuzave për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi nga Zyra e Prokurorit Special.

Megjithatë, Hoti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel më 16 korrik.

Gjatë raportimit para deputetëve, Hoti tha se në takimin e 16 korrikut në Bruksel ka paraqitur kërkesat e Kosovës për zbardhjen e çështjes së të pagjeturve dhe për temat ekonomike.

Gushti, simboli i betejave për liri e bashkim kombëtar, kushtrim për unifikimin e votës së shqiptarëve në Mal të Zi – Nga AZGAN HAKLAJ

 

Me dt 30 gusht do të mbahen zgjedhjet në Mal të Zi.
Shqiptarët do të votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e vet në Parlamentin e Republikës së Malit të Zi.
Është momenti kur shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës, të diasporës, kryeqendrat e tyre politike Tirana, Prishtina, Shkupi, me sy, veshë, zemër dhe mendje, me përgjegjësi të lartë politike, ndërgjegje patriotike, vetëdije të lartë kombëtare të jenë pranë shqiptarëve që banojnë në trojet e tyre etnike në Mal të Zi.
Të jenë pranë këtij komunieti të lavdishëm, i cili në shekuj e mijëvjeçarë e ka mbajtur ndezur flakadanin e lirisë duke u bërë njëherësh përçues nëpër breza i traditave më të shquara historike e kulturore të Kombit Shqiptar.
Mësuesja e madhe dhe e pagabueshme historia e popujve, e të shkuares, të sotmes dhe të ardhmes së tyre është busulla e saktë që na orjenton edhe ne në detin e trazuar të konjukturave politike e gjeostrategjike të kësaj epoke në të cilën vendoset e ardhmja e Kombit tonë në Ballkan.
Pas shembullit të bashkimit politik në emër të interesave të Atdheut, nën Flamurin Kuqezi të shqiptarëve të Tuzit, Luginës së Preshevës, votës plebishitare të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut është radha e liderëve të shqiptarëve të Malit të Zi, të cilët deri me dt 4 gusht duhet t’i ulin flamujt e partive dhe të bashkohen e të valëvitin zhgabën e zëzë në fushë të kuqe siç e quante simbolin tonë të shenjtë Fan Noli, për të garuar në një listë të përbashkët me dt 30 gusht.
Muaj gusht është sinonim i nëntorëve të lirisë, si ana tjetër e emblemës së ndritshme e historisë së Kombit Shqiptar.
Data 15 gusht e vitit 1465, është dita e ngjitjes në qiell e Shen Marisë.
Në këtě muaj të shenjtë Gjergj Kastrioti i Madh shpartalloj në Betejën e Dytë të Vaikalit ushtrinë e renegatit Ballaban Pasha që kishte marrshuar nga Thraka drejt Bulqizës dhe ushtrinë e Jakup Beut në Betejën e Kasharit që kishte marrshuar nga Thesalia në Kashar, taktikë ushtarake kjo e Sulltan Mehmetit të Dytë, me qëllim për ta futur Gjergj Kastriotit mes dy zjarresh.
Në këto dy beteja brenda pak ditësh Moisiu ynë shpartalloj 200000 ushtarë osmanë dhe kapi rob 6000 prej tyre.
Në Vaikal shpëtoj vetëm Ballaban Pasha me një grusht njerëzish, ndërsa Jakup Beun e ekzekutoj me heshtë Gjergji ynë, ashtu si Shen Gjergji i mitologjisë kuçedrën, ashtu si Akili pellazgo-ilir Hektorin para mureve të Trojës.
Në Eposin madhështor të shqiptarëve ka dy rreshta, të cilat nuk i gjen’ as në librat e shenjtë të Biblës dhe Kuranit.
Ja si ju drejtohet kreshniku Muj’ agëve të Jutbinës:
“Sa më ngushtë që unë kam ra
Aq ma lirë Zoti ma ka ba”.
Këto vargje madhështore të cilat përmbajnë një antitezë kozmike tregojnë se Zoti i plotëfuqishëm i don shqiptarët e është pranë e në anën e tyre sa herë ju kërcënohet liria dhe ekzistenca.
Fjalët e Gjergjit të Madh, para ushtarëve të dërmuar nga betejat e plagët, të cilët hezituan të futen në Betejën e Kasharit për të cilën fola pak më sipër kanë mbetur profetike dhe deshmi autentike të shpirtit të pamposhtur arbëror.
Kryetrimi shqiptar ju drejtua ushtrisë së tij me këto fjalë:
“Ushtarë të mi’, tregoni armikut gjoksin dhe jo shpinën”
Pesë shekuj më vonë, po në gusht të vitit 1912-të trimat shqiptarë të bashkuar në një ushtri prej dhjetëramijëra luftëtarësh, të prirë nga prijësit e shquar Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Bajram Daklani etj, hyjnë triumfalisht në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës, në Shkupin e lashtë iliro- dardan duke shpalosur madhërisht Flamurin Kuqezi, të lirë dhe krenarë.
Pikërisht nga ky qytet ideolgu dhe udhëheqësi i Kryengritjes së Përgjithshme për pavarësi Hasan Prishtina organizoj Kuvendin e Madh Kombëtar duke shpalosur projektin e tij për çlirimin e trojeve etnike shqiptare dhe bashkimin e tyre në një shtet të vetëm.
Trojet shqiptare në Mal të Zi janë gjymtyrët me të fuqishme e vitale të Atdheut, një hapsirë, ku flet shqip toka dhe qielli, guri e druri.
E nuk ka si të jetë ndryshe, sepse në këtë tokë të lashtë e të bekuar nga vetë Zoti ndodhen tempujt e shenjtë të Kombit Ulqini e Tivari, Podgorica e Tuzi, Hirushet Plava e Gucia të Gjon Balës e Ali Pashë Gucisë, Vranina e Oso Kukës, Deçiçi i Kullës legjendare të flamurtarit të pavarësinë Ded Gjon Luli, Nokshiqi ngadhënjimtarë i Jakup Ferrit, Bali Bajramit e Kajë Selmanes, Hoti i Çun Mulës e Gruda e Zhan Darkës Shqiptare Tringë Smajlit, Kalaja e Mbretëreshës Teutë e Kulla e Balshajve, varri i Ymer Prizrenit, varri i Gjon Buzukut, autorit të parë të Gjuhës Shqipe, varri i përkthyesit integral të Biblës Dom Simon Filipajt, llogoret ku luftuan strategët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit gjenerali Hodo Sokoli e Baca Kurti.
Shqiptarët e Malit të Zi nuk duhet të ndihen inferiorë pse janë të pakët në numër.
Ata janë kapedanë dhe duhet t’i kujtojnë fjalët e Aleksandrit, apo Lekës së Madh, siç e quajnë shqiptarët e veriut stërgjyshin e tyre të lavdishëm i cili po pushonte pak para se të fillonte beteja me Darin e Persisë.
Kur gjenerali i tij i vjetër Ptolemeu ju drejtua me fjalët:
“Zgjohu Perandor, përballë ke Darin me njëmilion ushtarë”, ai ju përgjigj.
“Ujku nuk mendon asnjëherë se sa e madhe është kopeja e deleve që do të shqyejë.
Beteja është e fituar”.
Data 30-të gusht nuk është betejë shpatash e heshtash, pushkësh apo topash si ato që kanë zhvilluar strategët tanë të mëdhenj për liri në antikitet, mesjetë apo në luftërat ballkanike e botërore me pushtuesit e shumtë për të mbrojtur trojet e veta.
Ajo është një betejë e bardhë elektorale e politike, e cila për asnjë lloj egoje e çmimi, apo përfitimi personal nuk duhet të njolloset nga përçarja.
Historia jonë, Atdheu dhe Flamuri Kuqezi na urdhërojnë të jemi të bashkuar.
Në këto zgjedhje Tirana, Prishtina, Shkupi, Lugina e Preshevës, Çamëria e kanë për detyrë atdhetare, mision kombëtar, obligim imediat, imperativ historik të kërkojnë e të mbështesin bashkimin e shqiptarëve të Malit të Zi për të dalë me një listë të përbashkët dhe për të votuar në mënyre unike për përfaqësuesit e vet për Parlamentin e Republikës së Malit të Zi, me qëllim rritjen e numrit të këtij pëfaqësimi dhe faktorizimin e tyre.
Ky bashkim është nderim për historinë dhe ardhërinë e Kombit Shqiptar.

FONDACIONI BIBERAJ INC. SHPALL BURSËN PREJ 1,1 MILION DOLLARËSH PËR 36 STUDENTË SHQIPTARË & 4 NGA PAKICAT

Kumtesë për shtyp
20 korrik, 2020. NJU JORK, SH.B.A, PRISHTINË, KOSOVË/ACCESSWIRE
FONDACIONI BIBERAJ INC. SHPALL BURSËN PREJ 1,1 MILION DOLLARËSH PËR 40 STUDENTË NË INSTITUTIN TEKNOLOGJIK TË ROÇESTERIT- RIT NË KOSOVË / FONDACIONI I UNIVERSITETIT AMERIKAN NË KOSOVË
Nju Jork/Prishtinë, 20 korrik, 2020 –Fondacioni Biberaj Inc. shpall ndarjen e bursave të reja akademike, në vlerë prej 1.160.000 dollarësh, për 40 studentë për studimet “Bachelor” në Institutin Teknologjik të Roçesterit në Kosovë/Fondacioni i Universitetit Amerikan në Kosovë (“RIT Kosovë (A.U.K)”).
Bursa Familja Biberaj, që do të jepet përmes konkurrimit dhe që zgjat për katër vjet, u ofrohet 40 nxënësve me rezultate të larta akademike, që kanë nevojë për ndihmë financiare. Tridhjetë e gjashtë (36) bursa do t’u jepen studentëve shqiptarë nga Tropoja, Plava, Gucia, Presheva, Tetova, Shkupi dhe pjesët rurale të Kosovës, dhe katër (4), studentëve që u përkasin grupeve të pakicave në Kosovë. Bursa Familja Biberaj synon që të paktën 50 për qind, por deri në 75 për qind, të bursave të jenë për studente gra. Përparësi do t’u jepet atyre që zgjedhin të studiojnë për shkencë, inxhinieri, teknologji, matematikë dhe gazetari.

Ken Biberaj, zëdhënës i Fondacionit Biberaj, theksoi se: “Fondacioni Biberaj e ka për nderë të mbështesë këtë program të mrekullueshëm dhe krijues. Ashtu si familje të shumta që kanë emigruar në Amerikë, ne u jemi thellësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara për mundësitë dhe sukseset që kemi patur. Kjo bursë e re u ofron një përvojë me të vërtetë globale këtyre të rinjve, me një theks të veçantë për gratë dhe degët e shkencave, inxhinierisë, teknologjisë, matematikës dhe gazetarisë.”

Administrimi i bursave dhe përzgjedhja e studentëve do të jetë përgjegjësi e RIT Kosovë (A.U.K.). Kolegji do të sigurojë akomodimin dhe ushqimin për bursistët.

Pas shpalljes së Bursës Familja Biberaj, Dr. Kamal Shahrabi, President i RIT Kosovë (A.U.K), falënderoi Fondacionin Biberaj duke theksuar: “Jam i lumtur dhe mirënjohës që Fondacioni Biberaj zgjodhi RIT Kosova (A.U.K) si institucionin e preferuar për arsimimin e përfituesve të Bursës Familja Biberaj. Bujaria e Fondacionit Biberaj do t’u krijojë mundësi 40 të rinjve nga Kosova dhe rajoni të ndjekin studime të standardeve të universiteteve amerikane pranë shtëpisë së tyre dhe me mundësi për të përjetuar përvojën amerikane. Bujaria e Fondacionit Biberaj është një tregues i qartë se Familja Biberaj pret nga të diplomuarit tanë të krijojnë një të ardhme më të mirë për Kosovën dhe rajonin. Faleminderit për mbështetjen dhe besimin që RIT Kosova (A.U.K) do ta kthejë pasionin e përfituesve të Bursës Familja Biberaj në një karrierë për ta”.    

Në bazë të kërkesave të Bursës Familja Biberaj, çdo student duhet të punojë në një nga muajt e verës, gjatë çdo viti akademik, në shërbim të komunitetit në rajonin e lindjes dhe çdo student duhet të përfundojë programin “Capstone” deri në fund të studimeve katër vjeçare. Po ashtu, çdo student duhet të ndjekë për një semestër, studimet në Shtetet e Bashkuara, në bazë të Programit Global të Studimeve të Institutit të Teknologjisë në Roçester, në kampusin e Nju Jorkut. Për të ruajtur të drejtën e bursës, çdo student duhet të mbajë një mesatare të lartë.

Bursa, e bazuar në mesataren e lartë dhe nevojën financiare, është e vlefshme për këdo që plotëson kushtet e mëposhtme:

  • Është me prejardhje shqiptare nga një prej këtyre rajoneve: zonat rurale të Kosovës, Tropoja, Plava, Gucia, Presheva, Tetova dhe Shkupi, ose i përket një prej grupeve të pakicave nga Kosova.
  • Plotëson formularin e posaçëm të RIT (A.U.K) për këtë program.
  • Është në gjendje të deshmojë rezultate të shkëlqyera në mësime dhe arritje të tjera.
  • Ka marrë pjesë në aktivitete jashtë-shkollore.
  • Duhet të ketë përfunduar shkollën e mesme në kohën e dhënies së bursës.
  • Të jetë në gjendje të deshmojë se ka nevojë financiare.
  • Të ketë njohuri të kënaqshme të gjuhës së shkruar dhe folur angleze. Formulari, procesi i përzgjedhjes dhe intervista, të gjitha zhvillohen në anglisht.
  • Të jetë i aftë të tregojë njohuri të forta në matematikë.
Një njoftim me hollësi të tjera dhe formulari për të aplikuar online për vitin akademik 2021-2022 do të vendoset në këtë adresë https://kosovo.rit.edu/

Mali i Zi – Nga një shtet pa koronavirus në vendin me numrin më të madh të infektimeve në rajon

Aneta Duroviq

Mali i Zi është vendi i fundit në Evropë që regjistroi rastin e parë me koronavirus (17 mars) dhe i pari që nuk pati asnjë rast të ri për 28 ditë rresht (dy cikle të inkubacionit). Kjo është arsyeja pse fundi i epidemisë në këtë vend u shpall më 2 qershor. Në atë periudhë (17 mars – 4 maj), u regjistruan 324 raste me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, dhe nëntë viktima.

Pas kësaj, rasti i parë u regjistrua më 14 qershor dhe deri më 16 korrik, numri i përgjithshëm i rasteve arriti në 1,582. Numri i rasteve aktive me COVID-19 është rritur shpejt, pas analizimit të 2,000 mostrave të ardhura nga Gjermania, nga të cilat dolën pozitivë 475.

Mali i Zi dërgoi 2,000 mostra për testim në Gjermani, për shkak të mungesës së kapaciteteve të nevojshme që ato të kryheshin në shtet.

Si u shndërrua Mali i Zi, nga vendi “pa koronavirus” në vendin me numrin më të madh të të infektuar për 100,000 banorë në Ballkanin Perëndimor?

Ndihmësi i drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik, Senad Begiq, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se besoj që arsyeja kryesore e kësaj është fakti se të gjithë, si shoqëri, u liruan dhe nuk u mbrojtën nga virusi.

“Importi i virusit më nuk mund të shmanget dhe kjo ishte e qartë për të gjithë. Për sa kohë që ekziston kjo sëmundje përkthe dhe për sa kohë që është kudo në botë, nuk ka vende apo territore të mbrojtura apo të sigurta”, tha Begiq.

Siç thotë ai, problemi kryesor qëndron te vetë virusi, pra te karakteristikat e tij, dhe mbi të gjitha në faktin se një numër i madh i personave të infektuar, ata që janë të gatshëm dhe të aftë për të transmetuar infeksionin, nuk kanë simptoma.

“Në kohën kur kemi identifikuar rastet e para, situata në terren ishte e tillë që, falë atij asimptomatizmit, ata përhapën sëmundjen në një numër relativisht të madh të kontakteve dhe gjithçka që po regjistrojmë dhe gjithçka që shohim tani është pasojë e sjelljes dhe ngjarjeve që u zhvilluan disa javë më parë”, thotë ai.

Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, Bashkimi Evropian e largoi Malin e Zi nga lista e vendeve të sigurta në të cilat lejohet udhëtimi, për shkak të situatës së keqe epidemiologjike. Siç u njoftua nga Brukseli, ky është një rekomandim që nuk është detyrues për anëtarët e BE-së.

Kur bëhet fjalë për rajonin, izolimi prej 14 ditësh është paraparë për qytetarët malazezë kur hyjnë në Serbi, kurse për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut duhet test negativ për COVID-19. Qytetarët e Malit të Zi mund të hyjnë në Bosnje dhe Hercegovinë pa kufizime. Qytetarët malazezë për të hyrë në Kroaci duhet të tregojnë testin negativ ose ata do të duhet të kalojnë vetizolim të detyrueshëm ose karantinë 14-ditore.

Cikli i parë i sëmundjes COVID-19 në Mal të Zi u shoqërua me masa të rrepta. Të gjitha institucionet arsimore, restorantet, palestrat dhe qendrat tregtare u mbyllën. Qytetarët ishin të kufizuar të dalin nga shtëpitë e tyre, dhe ishte e ndaluar të mblidheshin më shumë se dy persona në rrugë apo të udhëtonin me një makinë.

Transporti me trafik ndërurban u ndalua po ashtu. Shembulli më drastik ishte karantina e Komunës së Tuzit, afër Podgoricës, pasi u zbuluan 15 raste të infeksionit në një ditë.

Cikli i dytë i sëmundjes, megjithëse me një numër shumë më të madh të rasteve, nuk u shoqërua me masa të rrepta. Këto masat përfshijnë mbajtjen e një distancë fizike, maskë në vende të mbyllura brenda (në Podgoricë nga 17 korriku është e detyrueshme mbartja e maskës edhe në vendet të hapura) dhe thirrjet të Organit Kombëtar të Koordinimit për higjienë më të madhe nga qytetarët. Nga ky trup thonë janë hapur vendet e punës “sepse edhe përmes ekonomisë mbrohet shëndeti publik”.

Për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike, mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe komunale në katër komuna të Malit të Zi, të planifikuar për 30 gusht, është vënë në pikëpyetje.

Vuçiçi e njofton ambasadorin rus për dialogun me Kosovën

Ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandër Botsan Harchenko, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e njoftoi ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandër Botsan Harchenko, në lidhje me vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, bëri të ditur kabineti i Vuçiqit.

Siç transmeton Shërbimi i Ballkant i Radios Evropa e Lirë, Vuçiq e ka bërë këtë një ditë pas rifillimit të dialogut midis Vuçiqit dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve – rrethi i parë pas 20 muajsh – u zhvillua përmes video-konferencës, ndërsa takimi i drejtpërdrejtë është caktuar për datën 16 korrik, në Bruksel.
Në njoftimin e Presidencës së Serbisë, përveç që thuhet se Vuçiq dhe Harchenko diskutuan veçanërisht për çështjen e Kosovës, detaje të tjera nuk jepen.

Reagimi i fundit publik nga Rusia, në lidhje me çështjen e Kosovës, është regjistruar më 18 qershor, kur ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka qëndruar për vizitë në Beograd.

Atëbotë, Vuçiq ka deklaruar se ka marrë sinjale nga Lavrov që “e kanë shqetësuar edhe më shumë” atë, por nuk ka bërë të ditur se për çfarë bëhej fjalë.

Lavrov, në anën tjetër, ka thënë se Rusia “do të vazhdojë t’i mbrojë” interesat e Serbisë në organizatat ndërkombëtare. Detaje të tjera të bisedimeve nuk janë dhënë.

Vizita e Lavrovit në Beograd është zhvilluar në kohën kur pritej një takim midis Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, me nismën e të dërguarit amerikan në dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell.

Ky takim më pas nuk është mbajtur, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka njoftuar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Serbi, regjistrohen 11 raste të reja të vdekjeve nga COVID-19

Beograd

Në 24 orët e fundit në Serbi janë regjistruar 11 raste të reja të vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19), si dhe 287 raste të reja nga gjithsej 4.050 teste të realizuara, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë moment, 4.091 raste janë aktive, prej të cilëve 144 persona janë në respiratorë.

Që nga fillimi i epidemisë në Serbi, 393 njerëz kanë vdekur, ndërsa shkalla e vdekshmërisë është 2,14 për qind.

Në Serbi janë testuar gjithsej 491.428 persona dhe janë regjistruar 18.360 raste pozitive me COVID-19.

Bosnja përkujton viktimat e Srebrenicës

Bosnja përkujtoi të shtunën vrasjen e rreth 8000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë, në 25 vjetorin e masakrës që tronditi botën dhe u veçua si gjenocidi i vetëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Familjet mbajtën zi, duke qëndruar pranë nëntë arkivoleve të veshura në të gjelbër, ku ndodheshin trupat e viktimave të identifikuara kohët e fundit.

Ato do të prehen në një varrezë në formën e një luleje në afërsi të qytetit, ku gurët e bardhë shënojnë varret e 6.643 viktimave të tjera.

An aerial view of the Memorial Center in Potocari near Srebrenica, Bosnia and Herzegovina July 6, 2020.

An aerial view of the Memorial Center in Potocari near Srebrenica, Bosnia and Herzegovina July 6, 2020.

Rreth 1.000 viktima të masakrës në qytetin lindor të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992-1995 ende mungojnë.

Udhëheqës botërorë folën në ceremoninë solemne përmes lidhjes me video, në pamundësi për të marrë pjesë për shkak të koronavirusit. Në vend të dhjetëra mijëra vizitorëve që zakonisht ndjekin ceremonitë e përvitshme përkujtimore, erdhën vetëm disa mijëra, pasi organizatorët i kishin ndaluar vizitat e organizuara.

“Ne mbajmë zi bashkë me familjet që kërkojnë pa pushim drejtësi për 8,000 jetët e pafajshme të humbura, pas kaq shumë vitesh,” tha Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo.

Uashingtoni ndërmjetësoi marrëveshjen e paqes në Bosnje disa muaj pas masakrës.

Shumica e njerëzve në ceremonitë përkujtimore ishin myslimanë të Bosnjes, çka tregon se Bosnja nuk e ka arritur pajtimin, edhe pse kanë kaluar 25 vite nga përfundimi i luftës, në të cilën u vranë rreth 100,000 njerëz.

Gjykata e OKB-së për krimet e luftës për ish-Jugosllavinë dënoi Ratko Mladiçin dhe shefin e tij politik Radovan Karaxhiçin për gjenocidin e Srebrenicës, por ata mbetën heronj për serbët, shumë prej të cilëve e mohojnë se ka ndodhur gjenocid.

MASAKRA E SREBRENICËS

Në korrik 1995, ish presidenti i serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç dha urdhër për marrjen e Srebrenicës, qytetit të shpallur zonë e sigurtë nga Kombet e Bashkuara. Sulmi i forcave serbe rezultoi në Masakrën e Srebrenicës, gjakderdhja më e rëndë e Evropës, që pas përfundimit të Luftës II Botërore. Dhimbja dhe plagët e shkaktuara 25 vjet më parë ndjehen ende sot në Bosnje:

Bota u shtang kur mësoi në verën e vitit 1995 se në mes të korrikut të atij viti më shumë se 8 mijë burra e djem boshnjakë ishin masakruar në qytetin e Srebrenicës që ishte shpallur nga Kombet e Bashkuara si “zonë e sigurtë”.

People pray near coffins at a graveyard during a mass funeral in Potocari near Srebrenica, Bosnia and Herzegovina July 11, 2020.

People pray near coffins at a graveyard during a mass funeral in Potocari near Srebrenica, Bosnia and Herzegovina July 11, 2020.

Lufta kishte shpërthyer në Bosnje në prill 1992. Kur ushtria e serbëve të Bosnjes filloi të avanconte drejt lindjes në fillim të 1993, popullata myslimane e zonës u largua për t’i shpëtuar dhunës, duke u mbledhur në Srebrenicë. Ky qytet me 36 mijë banorë, shumica myslimanë, së shpejti kishte thuajse dy herë më shumë njerëz.

Në prill 1993, Kombet e Bashkuara veçuan tre qytete, ndër to edhe Srebrenicën si zona të sigurta dhe vendosën forca paqësore për të mos lejuar ndërhyrje.

Në atë kohë presidenti i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç dha urdhër që Srebrenica dhe Zhepa të vendoseshin nën rrethim të fortë për të mos lejuar futjen e ndihmave ndërkombëtare.

Më 9 korrik 1995 Radovan Karaxhiçi urdhëroi forcat të merrnin Srebrenicën. Trupat serbe rrethuan qytetin dhe filluan të sulmonin pikat e kontrollit të paqeruajtësve holandezë, duke marrë rreth 30 ushtarë peng. Të nesërmen, më 10 korrik forcat serbe filluan bombardimin e Srebrenicës, megjithë paralajmërimet e holandezëve se NATO do të sulmonte nëse ata nuk tërhiqeshin.

Një ditë më pas avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe, ndërkohë që njësitë serbe kërcënuan se do të vrisnin pengjet holandeze. Sulmet NATO-s u ndalën në mbrëmjen e 11 korrikut dhe komandanti i serbëve të Bosnjes, Ratko Mladiç hyri në Srebrenicë.

Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë u përpoqën të largohen për të shpëtuar duke u mbledhur pranë bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të Srebrenicës.

Komandanti i serbëve të Bosnjes, Ratko Mladiç u përpoq t’i qetësonte duke u thënë refugjatëve të mos kishin frikë. Forcat serbe më pas i futën refugjatët në autobusë për t’i larguar nga zona. Një pjesë u sollën në Kladanj, pranë zonës nën kontrollin qeveritar. Të tjerët filluan të mbërrijnë vetë. Shumë shpejt zyrtarët e Kombeve të Bashkuara vërejtën me shqetësim se në radhët e të zhvendosurve që po mbërrinin mungonin burrat.

“Ka rreth 2-3 mijë refugjatë të tjerë në Kladanj. Ka njerëz që vazhdojnë të mbërrijnë. Por problemi që vërejmë është se grupi i të zhvendosurve janë kryesisht gra, të moshuar dhe fëmijë. Kemi marrë njoftime se mijëra të tjerë janë në Bratunac, kemi kërkuar akses. Pa dyshim që fati i mijëra meshkujve mbetet shqetësim serioz për ne,” tha më 14 korrik zëdhënësi i Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, Soren Jessen Petersen.

Rreth 15 mijë meshkuj myslimanë kishin arritur t’i shpëtonin rrethimit serb dhe të fshiheshin në pyje, por shumë prej tyre u kapën nga trupa serbe që kishin zënë pritë, të veshur me uniformat e forcave paqeruajtëse të OKB-së.

Me kalimin e ditëve, u bë e qartë se shumë prej burrave të zhdukur kishin pasur një fund makabër. Brenda pak ditësh pas rënies së Srebrenicës, forcat serbe masakruan 8000 burra e djem, shumë prej tyre të kapur rob. Të tjerët u vrarë kur po përpiqeshin të shpëtonin. Shumë prej të kapurve ishin futur në magazina, shkolla, stalla pranë Srebrenicës, ku u qëlluan për vdekje dhe më pas u groposën në varre masive.

Udhëheqësit e serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mladiç u akuzuan nga Gjykata e Hagës dhe më shumë se dy dekada pas luftës në Bosnje u shpallën fajtorë për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

25 vjet pas luftës në Bosnje, ende zbulohen varre të reja masive. Identifikimi i viktimave shpesh rezulton i pasuksesshëm, pasi trupat u dëmtuan pas vrasjes dhe u zhvendosën pas groposjes. Kjo mbetet një tjetër plagë e hapur për të mbijetuarit e masakrës më të rëndë të Evropës që pas Luftës II Botërore. zëri i amerikës

Sot varrosen edhe 9 viktima të gjenocidit të Srebrenicës

Srebrenicë

Sot do të varrosen edhe 9 viktima të gjenocidit të Srebrenicës e cila cilësohet si tragjedia më e madhe njerëzore e përjetuar pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë, raporton Anadolu Agency (AA).

Nëntë viktimat e identifikuara që janë vrarë në gjenocidin në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë në veriperëndim të Bosnjë e Hercegovinës do të prehen në paqen e përjetshme pas faljes së namazit të xhenazes sot në varrezën përkujtimore Potoçari.

Përpara ceremonisë me rastin e 25-vjetorit të gjenocidit do të mbahet një program përkujtimor ku do të shfaqen mesazhet me pamje të dërguara nga shumë liderë botërorë, përfshirë edhe presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Në mesin e viktimave të gjenocidit që do varrosen sot janë Salko Ibisheviç, i cili ishte më i riu 23-vjeçar kur u vra dhe Hasan Peziç më i vjetri në moshën 70-vjeçare.

Moshat dhe viktimat e tjera që do të varrosen sot janë si më poshtë:

“Sead Hasanoviç (24), Alija Suljiç (26), Hasib Hasanoviç (25), Zuhdija Avdagiç (48), Bajro Salihoviç (52), Ibrahim Zukanoviç (54), Kemal Musiç (27)”.

Në varrezën përkujtimore Potoçari deri më sot janë varrosur 6.643 viktima të gjenocidit ndërsa pas ceremonisë mortore sot kjo shifër rritet në 6.652.

Çfarë ndodhi në Srebrenicë?

Pas pushtimit të Srebrenicës më 11 korrik 1995 nga njësitë serbe nën komandën e Ratko Mlladiçit, civilët boshnjakë që u strehuan tek ushtarët holandezë që shërbenin në kuadër të Kombeve të Bashkuara (OKB) iu dorëzuan serbëve.

Serbët të cilët lejuan kalimin e grave dhe fëmijëve në zonën nën kontrollin e ushtarëve boshnjakë, masakruan në pjesën e pyllit, në fabrika dhe depo të paktën 8.372 meshkuj boshnjakë të cilët u varrosën nëpër varreza masive.

Trupat e viktimave që gjenden gjatë punimeve që filluan pas luftës për gjetjen e të humburve, pas identifikimit varrosen në varrezën përkujtimore Potoçari çdo vit më 11 korrik.

24 orët e fundit Serbia regjistron 18 të vdekur nga koronavirusi

Beograd.

Në Serbi gjatë 24 orëve janë shënuar 18 viktima nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Lajmin e bëri të ditur kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e cila e quajti të premten, si ditën më të rëndë që nga fillimi i pandemisë.

“Deri më tani situata më kritike është në Beograd, pastaj Kragujevc dhe Novi Pazar. Ne po shohim rritje dramatike të numrit të të infektuarve dhe përkeqësim të situatës epidemiologjike në të gjithë rajonin dhe në mbarë botën”, tha Bërnabiq.

Kryeministrja serbe tha se aktualisht 130 pacientë po trajtohen përmes respiratorëve.

Më herët, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Serbisë, Zllatibor Lonçar, tha se kapacitetet e spitaleve ku trajtohen pacientët me COVID-19 janë mbushur.

Serbia, deri më tani, ka regjistruar mbi 17 mijë të infektuar me koronavirus. rel

Spitalet e Beogradit nuk kanë më kapacitete për pacientët me COVID-19

Një spital i improvizuar në Beograd.

Në Beograd të Serbisë kapacitetet e spitaleve ku trajtohen pacientët me COVID-19 janë mbushur.

Kështu ka njoftuar ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Serbisë, Zllatibor Lonçar.

Sipas tij, dhjetëra pacientë janë dërguar për trajtim në spitalet e Pozharevcit, Smederevës dhe Mlladenovacit.

Pas një takimi me drejtorët e spitaleve, Lonçar theksoi se po punohet në çdo drejtim, për të gjetur mundësi të reja për trajtimin e pacientëve me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

“Nëse situata vazhdon me këtë numër të të infektuarve, sistemi shëndetësor do të jetë në telashe”, tha Lonçar.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat kundër përhapjes së pandemisë në mënyrë që sistemi shëndetësor të sigurojë ndihmë adekuate për të gjithë.

Serbia, deri më tani, ka regjistruar 17,342 të infektuar me koronavirus. Prej tyre, 352 kanë vdekur.

Që prej paraqitjes së rasteve të para në mars e deri sot, Serbia ka kryer 471,700 teste për koronavirus. rel

Gjykata turke i hap rrugë kthimit të Shën Sofisë në xhami

Ish-katedralja bizantike e Shën Sofisë.

Një gjykatë turke tha të premten se ka anuluar një dekret qeveritar të vitit 1934 përmes së cilit ish-katedralja bizantike e Shën Sofisë ishte kthyer në një muze.

Gjykata, vendosi se dekreti ishte i paligjshëm, duke i hapur rrugën kthimit të ndërtesës në xhami, përkundër paralajmërimeve ndërkombëtare kundër një lëvizjeje të tillë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan kishte propozuar rivendosjen e statusit të xhamisë në ndërtesën që është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore që mbikëqyret nga Agjencia për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).

Objekti është një nga monumentet më të vizituar në Turqi.

Katedralja ortodokse ishte shndërruar për një periudhë të shkurtër kohore, 1204-1261, në kishë katolike.

Më vonë, më 1453, pas pushtimit të Konstandinopojës nga otomanët e udhëhequr nga Sulltan Mehmeti II, ky objekt ishte kthyer në xhami, duke shtuar katër minare në të.

Statusi i saj është ndryshuar në muze, sipas një dekreti të vitit 1934.

Më herët, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Turqisë që të ruajë statusin e muzeut për këtë objekt. rel

Digjet statuja e Melania Trumpit në Slloveni

Një skulpturë prej druri e Zonjës së Parë të SHBA-së Melania Trump është hequr, pasi iu vu flaka gjatë festimeve të fundjavës së 4 korrikut, Ditën së Pavarësisë së Amerikës.

Brad Downey, një artist amerikan me qendër në Berlin, tha se skulptura ishte në gjendje të mirë, por tani u shkrumbua dhe u shpërfytyrua. Statuja e Melanias u hoq menjëherë nga policia më 5 korrik, sapo kjo e fundit mori njoftimin për shkatërrimin e saj, transmeton Shqip.

“Unë dua të di pse e bënë këtë”, tha Downey, i cili kishte shpresuar se statuja do të nxiste një dialog për situatën politike në Shtetet e Bashkuara, duke theksuar statusin e Melania Trump si një emigrante e martuar me një president të përbetuar për të zvogëluar emigracionin.

Javët e fundit, presidenti Donald Trump është zotuar të marrë masa të ashpra për këdo që shkatërron dhe vandalizon monumentet historike të SHBA, ndërkohë që vendi është përfshirë nga debati dhe protesta mbi racizmin.

Bashkësia Demokratike Kroate (HDZ) fiton zgjedhjet në Kroaci

Zagreb

Zgjedhjet parlamentare që u mbajtën dje në Kroaci i fitoi partia e qendrës së djathtë Bashkësia Demokratike Kroate (HDZ), raporton Anadolu Agency (AA).

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (DIP) njoftoi se janë numëruar 91 për qind e votave, duke theksuar se HDZ ka fituar 67 ulëse në Parlamentin kombëtar prej 151 vendesh.

Kryetari i përgjithshëm i HDZ-së, Andrej Plenkoviç falënderoi të gjithë ata që kanë votuar. “Faleminderit për fitoren e shkëlqyeshme. Njerëzit zgjodhën që Kroacia të ecë përpara. Periudha që kaluam ishte e vështirë por plot përvoja. Ndërsa periudha që vjen ka përgjegjësi të mëdha”, tha ai.

Ndërkohë në vendin e dytë me 41 ulëse të fituara është koalicioni “Restart” i përbërë nga Partia Social Demokrate (SDP), Partia Fshatare Kroate (HSS), Partia e Pensionistëve (HSU), Unioni Civil-Liberal (GLAS), Partia Demokratike Istra (IDS), Unioni Primorje-Goran (PGS) si dhe Partia e Lëvizjes Popullore dhe Civile (SNAGA).

Në zgjedhjet partia “Lëvizja Atdhetare” e këngëtarit Miroslav Skoro fitoi 16 ulëse, Lista e të pavarurve “Most” 8, Aleanca “Mozemo” 7, Partia që ka emër dhe mbiemër, Aleanca “Pametno” dhe Fokus nga 2 dhe Partia Kombëtare Kroate dhe Reformistët fituan nga një deputet.

Anëtarja më e ri e Bashkimit Evropian (BE), Kroacia, së fundmi zgjedhje parlamentare mbajti në vitin 2016, të cilat gjithashtu i kishte fituar koalicioni i udhëhequr nga HDZ-ja.

Visnjiç: “Ekipi i Prokurorisë që publikoi aktakuzën ndaj Thaçit përbëhet nga amerikanët”

Avokati serb Tomislav Visnjic, i cili sipas mediave serbe është marrë me rastet e krimeve në Tribunalin e Hagës, mbrëmë gjatë një emisioni në televizionin publik serb, duke komentuar aktakuzën ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, ka thënë se krejt ekipi i Prokurorisë së Gjykatës Speciale përbëhet nga amerikanët.

Ai ka thënë po ashtu se publikimi i njoftimit nga Haga, pa u konfirmuar aktakuza, deri diku  është i pazakonshëm, sepse sipas tij hetimet dhe të gjitha dokumentet zyrtare janë sekrete dhe mund të publikohen vetëm kur aktakuza të konfirmohet.

Sipas Visnjic, Gjykata Speciale ka një rregull që bën përjashtim se kur mund të publikohen të dhëna nëse për këtë ka arsye potenciale. E këtë prokuroria e ka bërë me arsyetimin se Thaci e Veseli i kanë penguar hetimet, ka vlerësuar ai.

Visnjic ka thënë se ekipi i prokurorëve është kryesisht i përbërë nga amerikanët përfshirë edhe kryeprokurorin.

“Ai (kryeprokurori), ka provuar t’i mbledhë të gjithë amerikanët nga Tribunali (ICTY). Njëri nga ndihmësit ka udhëhequr hetimet ndaj Radovan Karaxhiqit. Shefi i ekipeve të prokurorisë është Alex Whiting, profesor nga Harvvardi dhe një kohë prokuror kryesor në rastin e Fatmir Limajt” ka thënë Visnjic.

Ky avokat serb po ashtu ka thënë se për këtë arsye kjo prokurori është e kualifikuar të ndërmarrë veprime të tilla.

“Është një ekip respektabil që shtyn fuqishëm përpara atë që e ka menduar. Kjo nuk është befasi. Historia e kohës (së shpalljes së aktakuzave), është mjaftë e pasur në rastet padive ndërkombëtare, neve kjo na ka ndodhur në dy raste. Aktakuza kundër Millosheviqit Shainoviqit, Ojdaniqit, Milutinoviqit dhe të tjerëve, ishte bërë publike me 25 maj 1999, gjatë ose pak para fillimit të bisedimeve paqësore për Kosovën, që përfunduan më 10 qershor” thekson ai.

Në një proces tjetër, thotë se me 25 korrik të vitit 1995 ishte publikuar aktakuza kundër Karaxhiqit dhe Mlladiqit, ndërsa në tetor të atij viti kishin filluar negociata në Dejton.

“Koha e publikimit definitivisht është e ndërlidhur me diçka që do të ndodhë në të ardhmen” ka thënë ky avokat duke komentuar zhvillimet e fundit me Gjykatën Speciale. Express

Vuçiçi nga Moska: Putini do të vizitojë Serbinë në tetor

Presidenti rus, Vladimir Putin (djathtas) dhe ai serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Moskë.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka konfirmuar se do të vizitojë Serbinë në muajin tetor për hapjen e Tempullit Shën Sava, ka deklaruar presidenti serb, Aleksandër Vuçiq pas takimit me presidentin rus në Moskë, raporton agjencia e lajmeve, Tanjug.

Vuçiq është në një vizitë zyrtare në Moskë, gjatë së cilës ai do të marrë pjesë në një paradë ushtarake, të planifikuar më 24 qershor, për të shënuar 75-vjetorin e fitores mbi fashizmin në Luftën e Dytë Botërore.

Vuçiq është cituar të ketë thënë se ka pasur një bisedë shumë të mirë me Putinin për të gjitha çështjet kryesore politike, dhe mbi të gjitha për Kosovën dhe situatën e përgjithshme në rajon dhe botë.

Sipas tij, ai ka marrë analiza të mira dhe këshilla të caktuara nga presidenti Putin.

“Unë pres forcimin e mëtejshëm të besimit dhe bashkëpunim edhe më të mirë në të ardhmen”, ka thënë presidenti serb.

Vuçiq ka konfirmur se do të udhëtojë të enjten drejt Brukselit për të biseduar me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian.

Më pas ai do të niset drejt Uashingtonit, për t’u takuar me zyrtarët e Kosovës, në një organizim të ndërmjetësuar nga Richard Grenell, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur nëse janë të vërteta raportimet e disa mediave se presidenti amerikan, Donald Trump do të jetë pjesë e takimit në Uashington, Vuçiq ka thënë se nuk e beson një gjë të tillë.

Sipas tij Trump mund të jetë i pranishëm vetëm nëse arrihet një zgjidhje.

“Unë mendoj se Richard Grenell ka konfirmuar se bisedimet do të jenë për marrëdhëniet ekonomike”, tha Vuçiq, duke shtuar se nuk mendon që ka qenë rastësi fakti që zyrtarët amerikanë kanë mbështetur idenë e një “Mini-Shengen”, sepse, siç tha ai, ai sjell një jetë më të mirë në Ballkan.

Mini-Shengeni Ballkanik është iniciativë përmes së cilës synohet të përmirësohet bashkëpunimi rajonal.

Përfaqësues të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë patën përkrahur këtë nismë, por jo edhe ata të Kosovës dhe Bosnjës. rel

Vuçiçi në Moskë këshillohet me presidentin rus para takimit Kosovë – Serbi në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të martën se mori këshilla të vyera dhe mbështetje nga presidenti rus, Vladimir Putin, lidhur me çështjen e Kosovës.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin rus në Moskë, ku po qëndron po ashtu për të marrë pjesë në një parakalim me rastin e përvjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Pas takimi kokë më kokë me presidentin Putin, presidenti serb tha se mori “këshilla dhe analiza të mira” gjatë bisedave për “rrugët e zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Dhe nëse mund të them, Putini në një mënyrë të zgjuar paraqiti mendimet e tij duke respektuar qëndrimet e Serbisë. Rusia e respekton Serbinë dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim”, tha ai, por pa dhënë hollësi se cilat ishin këshillat e presidentit rus.

“Putini është shumë i matur dhe i madh që të thotë diçka në mënyrë të drejtpërdrejtë, po a mund të jap udhëzime në mënyrë të zgjuar? Nuk ka dyshim për këtë”, tha ai.

Rusia një aleate e vjetër e Serbisë, ka theksuar disa herë se do të mbështes çdo zgjidhje që është e pranueshme për Beogradin dhe që do të merrte bekimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Vizita e presidentit serb në Moskë, ndodh në prag të takimit të së shtunës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump. Njëkohësisht Bashkimi Evropian është vënë në përpjekje për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara prej tij dhe muaji korrik pritet të jetë periudhë bisedimesh.

Autoritetet në Kosovë presin që nisma amerikane për rifillimin e bisedimeve të çojë në njohjen e ndërsjellë.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, pohon se Beogradi synon të vazhdojë të ruajë baraspeshën në marrëdhëniet e tij me perëndimin në njërën anë dhe Rusinë e Kinën ndërsa synon një marrëveshje me Kosovën, që është kusht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Të enjten e kaluar ai tha pas një takimi në Beograd me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov se do të refuzonte anëtarësimin në Bashkimin Evropian nëse Beogradi nuk përfiton diç më shumë në këmbim të njohjes së Kosovës dhe heqjes së pengesave për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara. zëri i amerikës

Partia e presidentit serb Vuçiç – fituese e zgjedhjeve në Serbi

Në Serbi, sipas rezultateve paraprake, Partia Përparimtare e udhëhequr nga presidenti Aleksandër Vuçiç, shënoi fitore të thellë në zgjedhjet e së dielës, që janë të parat në Evropë që nga mbylljet e shkaktuara nga koronavirusi tre muaj më parë.

Komisioni i Zgjedhjeve tha se sipas rezultateve paraprake kjo parti ka fituar 63,35 për qind të votave. Në vendin e dytë është Partia Socialiste e Serbisë, me 10.67 për qind të votave. Ndërsa në vendin e tretë Aleanca Patriotike serbe e një ish lojtari të vaterpolos, Aleksandër Shapiç, i cili mori rreth 4 për qind të votave.

Presidenti serb shpalli fitoren e tij duke theksuar se ishte “jashtëzakonisht bindëse”.

Të dhënat ende të paplota flasin për një pjesëmarrje më të ultë të votuesve sesa në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2016.

Një pjesë e partive opozitare bojkotoi zgjedhjet duke vlerësuar se ato nuk mund të jenë të lira apo të drejta si rezultat i kontrollit të fortë të presidentit Aleksandër Vuçiç mbi median. Pas shpalljes së rezultateve paraprake ata thanë se presidenti Vuçiç e shkatërroi jetën politike në Serbi.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Evropian me seli në Beograd, Sllobodan Zeçeviç, i tha agjencisë së lajmeve Reuters që “nëse marrim parasysh numrin e votave (te fituara nga partia e Vuçiçit) … ne po shkojmë drejt sistemit të Koresë së Veriut apo Kinës”.

Por, presidenti serb tha se “sonte kemi fituar besimin e madh të qytetarëve, më i madhi ndonjëherë në Serbi, në kushte kur pak besuan, dhe ne kemi marrë një paralajmërim të madh nga njerëzit se duhet të jemi edhe më të përgjegjshëm dhe të arrijmë rezultatet më të mira të mundshme”, tha ai, duke shprehu bindjen se përqindja e fitores do të jetë më e lartë pas numërimit të votave të hedhura në Kosovë, ku është votuar në komunat me shumicë serbe.

Që nga përfundimi i luftës, autoritetet në Kosovë kanë lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë dhe edhe kësaj radhe misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë grumbulloi votat për t’i dërguar në Serbi për numërim.

Votimet e serbëve të Kosovës nxitën debatet e zakonshme në raste të tilla ndërmjet pushtetit që thekson se kjo është një praktikë e zbatuar edhe në të kaluarën dhe një pjese të opozitës e cila thotë se mbajtja e zgjedhjeve serbe ishte shkelje mbi sovranitetin e Kosovës, të cilin Serbia nuk e njeh.

Udhëheqësit e të dyja vendeve pritet të takohen të shtunën e javës tjetër në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet e paqes, Richard Grenell, ndërsa gjatë korrikut priten raunde të reja bisedimesh me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në përpjekje për të arritur një marrëveshje normalizimi që është kusht për proceset integruese për të dyja palët.

Analistët thonë se qeveria e re serbe do të përballet me trysninë në rritje të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për të njohur pavarësinë e Kosovës, gjë që shihet si thelbësore për qëndrueshmërinë rajonale.

Në zgjedhjet e se dielës për herë të parë pesë parti shqiptare nga Lugina e Preshevës, morën pjesë në një listë të përbashkët.

Sipas rezultateve paraprake Alternativa demokratike shqiptare – Lugina e Bashkuar, fitoi rreth 1 për qind të votave dhe shpreson të ketë të paktën 3 vende në parlamentin serb. zëri i amerikës

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov arrin në Beograd

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka nisur të enjten vizitën e tij zyrtare në Beograd.

Ai është pritur rreth orës 10:45 në Aeroportin “Nikolla Tesla”, nga Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Menjëherë pas arritjes së tij, Lavrov, është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe më pas është planifikuar një konferencë për media.

Në kuadër të vizitës së tij në Beograd, Lavrov është thënë se do të takohet edhe me ministrin Daçiq, si dhe me ministrin e Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq, me të cilin do të nënshkruajë një marrëveshje për bashkëpunim midis qeverive të Serbisë dhe Rusisë në luftën kundër terrorizmit.

Vizita e Lavrovit në Beograd vjen dy ditë para zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi dhe më pak se 12 orë para heshtjes parazgjedhore.

Një javë para vizitës së zyrtarit rus, përkatësisht më 12 qershor, ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko, ka thënë për Radio Televizionin e Serbisë (RTS) se Kosova do të jetë një nga temat kryesore të diskutimit gjatë kësaj vizite.

Duke folur për pritjet e kësaj vizite, Daçiq, ka thënë një ditë më parë se “Rusia do të mbështesë çdo zgjidhje që është në interes të Serbisë dhe atë që dëshiron Serbia”.

Gazetari dhe analisti i politikës së jashtme, Bosko Jakshiq, ka thënë se shkuarja e Lavrovit në Serbi ishte paralajmëruar para njoftimit të të dërguarit special të Shtëpisë së Bardhë për negociata midis Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell, për organizimin e një takimi në mes të presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, më 27 qershor, në Uashington.

Jakshiq beson se “Rusia ka arsye për t’u shqetësuar” dhe, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë (RFE), ka vlerësuar se Moska me siguri “po monitoron me kujdes përshpejtimin e ngjarjeve rreth Kosovës dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara”.

“Afrimi i çdo zgjidhjeje mund të prishë konfliktin e ngrirë, dhe konflikti i ngrirë është në thelb në interesin më të madh të Rusisë – të mbetet si një levë e ndikimit të zgjatur, kryesisht mbi Serbinë”, ka thënë mes tjerash Jashkiq.

Intervista – Vuçiç: Po e pres propozimin për zgjidhjen e çështjes me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se heqja e masave të reciprocitetit krijoi hapësirë për dialogun me Kosovën. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai tha se po e pret ardhjen e përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Mirosllav Lajçak, në Beograd dhe Prishtinë pas zgjedhjeve të 21 qershorit në Serbi. Vuçiq po ashtu tha se ka hequr dorë, nga siç u shpreh ai, nismat e mëdha për zgjidhjen e çështjes me Kosovën dhe është duke pritur propozimin.

Radio Evropa e Lirë: Le të fillojmë me ndodhinë e së shtunës. Qeveria e Kosovës hoqi masat kundër Serbisë. Si do të ndikojë kjo në dialogun në mes të Serbisë dhe Kosovës?

Aleksandër Vuçiç: Kjo gjë e hapë mundësinë që ne të fillojmë bisedimet, nëse ajo masë mbetet për më shumë se disa ditë dhe besoj se nuk është çështje përndjekjeje dhe rivaliteti në mes të dy palëve, por një çështje thelbësore, çështje e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, një nga liritë më të rëndësishme të botës moderne, dhe besoj se do të ketë një efekt të mirë në ekonominë e Beogradit dhe Prishtinës, do të ketë një efekt të mirë te njerëzit. Pra, jo vetëm serbët, por edhe shqiptarët, kjo do të krijojë një lloj kornize në mënyrë që komunitetet tona të biznesit të mund të bashkëpunojnë më mirë. Sigurisht, kjo do të hapë mundësinë e dialogut politik në mes nesh.

Radio Evropa e Lirë: Kur pritet të fillojë dialogu? Zoti (Mirosllav) Lajçak ka përmendur muajin qershor?

Aleksandër Vuçiç: Pas zgjedhjeve (në Serbi) unë pres vizitën e zotit Lajçak edhe në Beograd edhe në Prishtinë. Pastaj, do të shohim se si do të vazhdojmë.

Radio Evropa e Lirë: Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se nuk do të shkojë në Bruksel. Si e kuptuat këtë mesazh?

Aleksandër Vuçiç: Ato janë punë të brendshme të tyre. Dikush dëshiron të thotë se duan të dëgjojnë vetëm amerikanët, jo evropianët dhe në anën tjetër kemi të tjerë të cilët thonë se janë të hapur për evropianët, kështu që të gjithë thonë gjëra të ndryshme. Dhe mos harroni, ata janë fëmijë të amerikanëve dhe gjermanëve dhe të gjithë atyre që krijuan pavarësinë e Kosovës. Çfarëdo që të bëjnë, për ta gjithmonë do të ketë lëshime dhe vullnet të mirë nga ana e atyre që krijuan pavarësinë e Kosovës, ata do t’i ndihmojnë. Ne nuk jemi në atë situatë, nuk mund të shmangemi nga bisedimet.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni rolin e Amerikës dhe atë të BE-së kur bëhet fjalë për dialogun në mes të Serbisë dhe Kosovës?

Aleksandër Vuçiç: Pa marrë parasysh se si e shoh unë apo çfarëdo që mendoj për të, do të pajtoheni se nuk është e logjikshme për mua të flas publikisht sepse është… ne jemi në rrugën evropiane dhe nga ana tjetër Amerika është fuqia më e madhe në botë, dhe tani ju prisni nga unë që të kundërshtoj njërën ose tjetrën. Ne jemi shumë të vegjël për të qenë në gjendje të bëjmë një gjë të tillë dhe të kemi të drejtë ta vendosim Serbinë në një pozitë më të vështirë. As që e mendoj një gjë të tillë. Ne flasim me të gjithë. Për ne më të rëndësishëm janë gazetarët, jo ju, por shumë gazetarë që kanë folur me ne gjithmonë, kanë folur për çështje teknike –kur do të vijë data, kur do të flisni, por askush nuk flet për thelbin.

Ajo për të cilën unë bëj pyetje gjithmonë është “në rregull, nëse ju tërhiqeni nga dëshira juaj për t’u bashkuar në organizatat ndërkombëtare për 60 ditë, nuk ka problem, këtu jemi dhe ne do t’i japim fund fushatës të çnjohjeve për 60 ditë”. Nuk është problem, por është teknike. Pyetja ime ka të bëjë me thelbin. Cila është përmbajtja e dialogut? Për çfarë po flasim? Dhe çfarë do të vijë në fund të dialogut. Sepse, nëse është thjesht “ejani serbë dhe njihni pavarësinë e Kosovës, le ta përfundojmë këtë histori”, sigurisht që nuk do të shkojë në atë mënyrë.

Radio Evropa e Lirë: Kur flisni për Kosovën, ju thoni që do të përpiqeni që Serbia të fitojë sa më shumë dhe të humbasë sa më pak të jetë e mundur.

Aleksandër Vuçiç: Më së paku që duhet.

Radio Evropa e Lirë: Më së paku që duhet. Çfarë shihni si zgjidhje?

Aleksandër Vuçiç: Unë nuk shoh asgjë sepse kur e kam parë, të gjithë më kanë thënë se çfarëdo që shoh është e keqe. Të gjithë ata që janë jashtë Ballkanit dhe nuk kanë asnjë lidhje me serbët dhe shqiptarët, do të ishte më e mirë të zgjidhnin problemin sesa ata që ishin të përfshirë drejtpërdrejtë në problem, pra serbët dhe shqiptarët. Kjo është sjellja e fuqive të mëdha për më shumë se 150 vjet në këto treva. Ata kanë interesin e tyre, ata kanë vendimet e veta dhe mendojnë se është e rëndësishme që qëllimet e tyre të respektohen, të përmbushen dhe nuk u intereson se çfarë mendojnë vërtetë serbët dhe shqiptarët. Kjo është arsyeja se kur isha në Kombet e Bashkuara dhe thash: “lërini popujt e Ballkanit të rregullojnë marrëdhëniet e tyre vet, dhe në të kaluarën do të kishte pasur shumë më pak gjak dhe shumë më pak probleme”.

Por unë jam i vetëdijshëm se të gjithë ne së bashku jemi të vegjël dhe sigurisht që gjithmonë do të ketë në Ballkan të tillë që do të shikojnë mënyra për të kënaqur të mëdhenjtë, shumë më tepër sesa të krijojnë marrëdhënie më të mira me miqtë ose fqinjët e tyre. Kështu që unë kam hequr dorë nga disa iniciativa të mëdha dhe jam duke pritur për të parë se çfarë do të na propozohet. Dhe nëse më pyet, kjo është arsyeja pse unë e thash atë, çfarë saktësisht është ajo që pres. Nuk pres asgjë. Unë nuk e di se çfarë të bëj. Kur them diçka do të jetë, por nuk e di se çfarë të pres. Asgjë konkrete.

Radio Evropa e Lirë: Përsëri kur flisni për një periudhë prej tre ose gjashtë muajsh në të cilën mendoni se ndoshta diçka do të shkojë përpara. A ekziston…

Aleksandër Vuçiç: Serbia do të… nuk ka asnjë afat. Serbia do të flasë me mirëbesim, kështu që ne me të vërtetë do të kemi një qasje të plotë të sinqertë, dhe duam të sigurojmë paqe dhe stabilitet për dekadat e ardhshme. Serbët dhe shqiptarët janë dy kombet më të mëdha në Ballkanin Perëndimor dhe kjo gjë do të jetë kështu edhe 100 ose 200 vjet të tjera. A do të jemi në gjendje të sigurojmë atë lloj stabiliteti, a do të kemi kuptim të mjaftueshëm për palën tjetër, a do të kemi inteligjencë të mjaftueshme për të kërkuar kompromis dhe jo vetëm të kërkojmë që të fajësojmë palën tjetër? Kjo është pyetje tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Cilat do të ishin vijat e kuqe për ju, kur bëhet fjalë për Kosovën?

Aleksandër Vuçiç: Sa herë që flisni për vijat e kuqe, atëherë nuk jeni të gatshëm për biseda. Kjo nuk do të thotë se ato nuk ekzistojnë, por kur filloni të flisni për to ashtu si pala shqiptare që thotë:“Jo, jo, ne… e gjithë Kosova është e jona, kështu që do të marrim edhe Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, pak më shumë”. Unë vetëm pres që ata të thonë se do ta marrin edhe Kragujevcin dhe Kralevën. Sinqerisht, buzëqesh dhe vazhdo tutje. Kur hyni në një dialog, hyni me mirëbesim dhe jeni të gatshëm të bëni kompromis. Nëse kjo gjë do të bëhet e mundur, do të shohim.

Radio Evropa e Lirë: Sidoqoftë, Kushtetuta e Serbisë thotë se Kosova është pjesë e Serbisë, nëse e marrim këtë parasysh, atëherë cili është plani?

Aleksandër Vuçiç: Kushtetuta e Serbisë thotë se Serbia është një territor i vetëm, përfshirë këtu Provincën Autonome të Kosovës dhe Metohisë. Kushtetuta e Kosovës flet për një shtet të pavarur të cilin 22 shtete të BE-së e kanë njohur dhe 5 të tjera nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Çfarë të bëjmë tani? Cili është ai territor? Kjo është arsyeja pse unë kam thënë se është e rëndësishme të flasim dhe të kuptojmë pozicionet e njëri-tjetrit.

Radio Evropa e Lirë: Keni pasur një bisedë me ambasadorin rus këtë mëngjes, pastaj keni një bisedë me ambasadorin kinez. Në anën tjetër jeni kritikuar nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Aleksandër Vuçiç: Dje kam pasur (bisedë) me përfaqësuesit e Komisionit Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Deri kur mendoni se do të jetë e mundur që Serbia të ndjekë një politikë bashkëpunimi të balancuar me Rusinë dhe Kinën, dhe në anën tjetër të ketë aspirata që të jetë anëtare e BE-së?

Aleksandër Vuçiç: Unë mendoj se shumë anëtarë të BE-se bashkëpunojnë mirë me Rusinë dhe Kinën. Serbia ka pothuajse mijëra herë më pak tregti me Kinën sesa vetëm dy vende të BE-së. Nuk e di saktësisht se për cilën pjesë do të thoshte dikush, përveç që ekziston natyrisht ajo thënia latine që i përshtatet Jupiterit ose si e kemi përkthyer, sepse ajo rimon më mirë për ne, ajo që i përshtatet një Perëndie nuk i shkon një kaut. Disa kanë të drejtë për këtë, disa nuk kanë të drejtë dhe unë e kuptoj këtë gjë. Disa janë të mëdhenj, e disa të vegjël, por kjo nuk do të thotë se është gjithmonë e drejtë. Për sa na përket neve, ne jemi në rrugën evropiane, nuk heqim dorë nga kjo. Kemi shkëmbimin më të madh tregtar me BE-në, ndërmjet 66 dhe 67 për qind. Por, nga ana tjetër duam t’i përkasim asaj shoqërie.

Por, mos harroni se Serbia ka një situatë specifike me çështjen e Kosovës dhe Metohisë, për të cilën folëm. Ne pa dyshim që marrim mbështetje për integritetin e Serbisë nga ana e Kinës dhe Rusisë, dhe në anën tjetër kemi bashkëpunim shumë të mirë ekonomik në të gjitha fushat tjera. Ne do të harmonizojmë ngadalë politikën tonë të jashtme me politikën e BE-së, pasi t’i afrohemi anëtarësimit në BE dhe deri atëherë do t’i mbrojmë interesat tona kombëtare dhe shtetërore në mënyrë të përgjegjshme. Kjo është politika jonë. Ne kemi të drejtën për politikën tonë, unë jam avokues i politikës së pavarësisë dhe vendimmarrjes së pavarur, si në politikën e jashtme ashtu edhe në atë të brendshme.

Radio Evropa e Lirë: Si i shihni sondazhet e opinionit publik që thonë se qytetarët e Serbisë e shohin Kinën si donatorin më të madh edhe pse faktet tregojnë së është BE-ja?

Aleksandër Vuçiç: Ndoshta hulumtimi është bërë gjatë pandemisë së koronavirusit, kështu që unë mendoj se kjo është arsyeja. Por, Bashkimi Evropian deri më tani është investitori më i madh dhe donatori më i madh në vendin tonë. Siç thashë, më pëlqen të përgjigjem në mënyrë racionale për numrat. A na ka ndihmuar shumë Kina? Do të dëshiroja të falënderoja pafund për (uzinën) “Zelezaran” dhe minierën “Zidjinin” në lindje të Serbisë dhe përmes shumë projekteve të tjerat për të cilat po punojmë së bashku dhe se ata na kanë ndihmuar edhe gjatë pandemisë së koronavirusit.

Radio Evropa e Lirë: Është paralajmëruar vizita e presidentit kinez, a e dini se kur do të vijë si dhe cilat do të jenë temat e diskutimit?

Aleksandër Vuçiç: Unë mendoj se duhej të ishte mbajtur forumi strategjik i Leipzigut në mes të BE-së dhe Kinës, kështu që mendoj se para ose pas kësaj ai (presidenti i Kinës, Xi Jinping) do të vijë. Tani për tani ajo është anuluar, kështu që do të shohim.

Radio Evropa e Lirë: Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet në mes të Serbisë dhe Rusisë, a e ndihmoi Rusia Serbinë gjatë pandemisë dhe në çfarë mase?

Aleksandër Vuçiç: Ata na kanë ndihmuar aq sa kanë mundur. Ata ishin përballur me këtë krizë dhe edhe sot po përballen me të. Dje kanë vdekur 197 njerëz (në Rusi) nëse e mbaj në mend saktë. Mundohem të kujtoj të gjithë numrat kryesorë të botës, të paktën vdekshmërinë. Pra, edhe në ato kushte ata treguan vëmendje për Serbinë dhe unë vërtetë i falënderoj.

Radio Evropa e Lirë: Në çfarë mase marrëdhëniet në mes të Serbisë dhe Rusisë u prishën nga afera me diplomatin rus, nuk e dimë se çfarë ndodhi pas kësaj, në njëfarë mënyrë u duk se u qetësua situata dhe nuk e dimë se cili ishte rezultati i kësaj afere?

Aleksandër Vuçiç: Reagoni në atë moment, por nuk duhet të lejoni që gjëra të tilla të shkatërrojnë marrëdhëniet në mes vendeve mike, dhe mua më duket se Serbia reagoi në mënyrë serioze dhe të përgjegjshme. Rusia është një vend miqësor për ne, ne përpiqemi ta ruajmë atë marrëdhënie, ne përpiqemi të kuptojnë rrugën tonë evropiane, dhe unë mendoj se është e qartë për ta se sa i vështirë është pozicioni i Serbisë dhe i falënderoj për këtë mirëkuptim.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni mënyrën se qeveria juaj i ngjanë asaj të qeverisjes të Viktor Orban, e shihni si kritikë?

Aleksandër Vuçiç: Unë mendoj se të gjithë njerëzit janë të ndryshëm dhe veprojnë në mënyra të ndryshme dhe kushte të ndryshme. Disa do të më lavdërojnë, disa do të më kritikojnë, nuk merrem me atë. Viktor Orban është mik shumë i respektuar i vendit tonë dhe falë tij, marrëdhëniet në mes të serbëve dhe hungarezëve janë absolutisht më të mirat në historinë tonë moderne. Falë punës dhe angazhimit të Viktor Orban, marrëdhëniet tona janë vërtetë të jashtëzakonshme. Mos harroni që ne në Vojvodinë deri më tani kemi numrin më të vogël të incidenteve në gjashtë vjetët e fundit të historisë sonë, pra nga Lufta e Parë Botërore, nga Marrëveshja e Trianonit e deri më sot. Pra që nga viti 1918 e deri më sot, gjashtë vjetët e fundit kanë qenë bindshëm më të mirat në marrëdhëniet në mes të serbëve dhe hungarezëve.

Ne kishim një këndvështrim tjetër për krizën e migrantëve. Ata ndërtuan mure, ndërsa ne jo, por patëm marrëveshje për të mos sulmuar, kemi pasur marrëveshje për të respektuar politikat e ndryshme, dhe unë e respektoj këtë gjë shumë nga pala hungareze. Ata gjithashtu na ndihmuan gjatë pandemisë së koronavirusit, me pajisje dhe duhet të them që ata po ndihmojnë dhe po mbështesin Serbinë kudo dhe në çdo vend.

Radio Evropa e Lirë: Në anën tjetër, kur bëhet fjalë për këtë, organizatat ndërkombëtare dhe Komisioni Evropian vazhdimisht kanë kundërshtime ndaj shtetit dhe demokracisë në Serbi, mbi të gjitha për situatën e mediave?

Aleksandër Vuçiç: Ata kanë kudo, kudo…

Radio Evropa e Lirë: …në lidhje me gjyqësorin, si planifikoni t’i zgjidhni problemet?

Aleksandër Vuçiç: Kjo është njëra nga gjërat që unë vërtetë do të nënshkruaja gjithçka në raportin e Komisionit Evropian dhe do të isha edhe më i mprehtë. Ne kemi zbatuar një lloj reforme në vitin 2009 që nuk na solli efikasitet ose racionalitet në procedurat gjyqësore. Unë do të doja dhe jam i bindur që me mbështetjen e Bashkimit Evropian ne mund të zgjidhim këtë problem.

Sa i përket mediave, ju keni dy gjëra: e para është se nuk ka dyshim se duhet të bëjmë shumë më tepër, dhe nga ana tjetër, ekziston kjo qasje politike në të cilën gjithmonë dëshironi të shihni njërën anë në një mënyrë më të mirë dhe palën tjetër në një mënyrë të pakrahasueshme, por ne jemi gjithmonë të gatshëm të flasim për gjithçka dhe unë jam përpjekur veçanërisht gjatë tre muajve të fundit të mos sulmoj kundërshtarët politikë, të dëgjoj të gjithë dhe t’i përgjigjëm çdo pyetjeje.

Por, ata që ankohen për lirinë e mediave, ata flasin çdo ditë, ata bëjnë fushatë kundër meje dhe kundër shtetit në çdo mënyrë të mundshme, askush nuk i pengon në këtë, për më tepër unë i përgjigjem secilës pyetje që ata kanë dhe nuk është diçka e vështirë për mua që ta bëj. Disa të tjerë nuk ankohen aspak, por unë mendoj se ata u thonë atyre se janë budallenj ose shumë më pak të zgjuar se ata. Nuk e di çfarë të them tjetër, por në çdo rast, gjithçka që dikush mendon se mund të bëjmë, unë do të isha i lumtur ta bëja atë së bashku sepse pa qasje të përbashkët për gjithçka do të jetë e vështirë.

Vuçiçi: Do të luftojmë shumë për Kosovën, por nuk ka asnjë zgjidhje fatlume për ne

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është zotuar se do “luftojë” për Kosovën, por ka paralajmëruar se nuk do të ketë zgjidhje fatlume për Serbinë.

“Nuk është detyrë e presidentit të Serbisë të mashtrojë njerëzit. Do të ketë përpjekje për të zgjidhur gjërat gjatë vitit të ardhshëm, por nuk dihet nëse do të zgjidhen”, ka deklaruar Vuçiq gjatë një interviste dhënë të shtunën për televizionin serb “Prva”.

Vuçiq theksoi se nuk mund të pritet që fuqitë e mëdha botërore do te ndryshojne qendrimin e vet për pavarësinë e Kosovës dhe as qëndrimin që nuk ka ndryshim të kufijve me Kosovën.

“Para nesh i kemi gjashtë muaj luftë të vështirë politike për interesat tona kombëtare në Kosovë dhe Metohi dhe për të drejtat e njerëzve tanë atje”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se pret nga përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak që ta vizitojë Beogradin dhe Prishtinën, menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi, që do të mbahen më 21 qershor.

“Unë pres që Lajçak të vijë në Beograd menjëherë pas zgjedhjeve. Nuk ka zgjidhje të lumtur për ne, çfarëdo qoftë ajo, ne nuk mund të jemi të kënaqur veçanërisht. Nuk mund t’i gënjej njerëzit. Puna e presidentit ose dikujt që merret me politikë nuk është t’i mashtrojë njerëzit”, u shpreh Vuçiq.

Presidenti i Serbisë ka shtuar se pret edhe bisedime me Richard Grenell, të dërguarin e posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Ne do të përpiqemi ta bëjmë (rezultatin e negociatave midis Kosovës dhe Serbisë) zgjidhje më pak të pafavorshme, por ta bëjmë atë të favorshëm është jorealiste,” tha Vuçiq.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Kosova vendosi taksën 100 për qind. Në prill të këtij viti, Kosova e pati zëvendësuar taksën me masën e reciprocitetit. Por, Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti e hoqi reciprocitetin dhe tha se tani pret nga Serbia që të heqë pengesat e tjera, në mënyrë që palët të kthehen në tavolinën e bisedimeve. rel

Gjuriq: Kosova është dashur më herët të heqë pengesat tregtare me Serbinë

Pas heqjes së masave të reciprocitetit ndaj Serbisë nga Qeveria e Kosovës, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se Kosova do të duhej më parë të hiqte pengesat tregtare me Serbinë, duke shtuar se dëmi i shkaktuar nga bllokada dyvjeçare është i madh “dhe i pafalshëm”.

Gjuriq u bëri thirrje biznesmenëve nga të dy palët që të përdorin mundësinë për t’u lidhur më mirë dhe për të krijuar mundësi të reja për njerëzit e të gjitha kombësive dhe theksoi se forcimi i bashkëpunimit ekonomik midis Beogradit dhe Prishtinës është një përbërës i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve, dhe se forcimi i mëtutjeshëm i ekonomisë serbe do të forcojë pozicionin e shtetit serb.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e reciprocitetit.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se me heqjen e reciprocitetit, Kosova ka hequr pengesat për procesin e dialogut, por theksoi se tani i mbetet Serbisë, që të heqë pengesat, duke kërkuar ndaljen e fushatës së çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Fillimisht taksa 100 për qind e vendosur në fund të vitit 2018 dhe më pas reciprociteti i vendosur ndaj Serbisë në prill të këtij viti, u panë si pengesa për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur u vendos taksa 100 për qind. Beogradi ka kërkuar heqjen e të gjitha pengesave, në këmbim të kthimit në tavolinën e bisedimeve. rel

Bërnabiq: Nuk kam informacione se Serbia ka ndaluar fushatën kundër Kosovës

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se nuk ka informacione se vendi i saj ka ndaluar fushatën e tërheqjeve të njohjeve të Kosovës.

Të enjten, burime diplomatike në Bruksel u kanë thënë gazetarëve se Serbia ka pranuar ta pezullojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës “për t’i kontribuar atmosferës për rinisjen e dialogut për normalizim marrëdhëniesh” midis Prishtinës dhe Beogradit.

“E kam parë këtë lajm, por jo edhe burimin e këtij lajmi. Kur flisni për lajm nga Brukseli, unë nuk e di se çfarë do të thotë. A vjen nga Komisioni Evropian, nga Parlamenti Evropian, apo e ka thënë ndonjë njeri në rrugë dhe ne e marrim atë si burim të ligjshëm”, tha Bërnabiq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

“Ju kërkoni nga unë të komentoj lajme jozyrtare, që janë publikuar në mënyrë tendencioze dhe në kohë tendencioze”, shtoi Bërnabiq.

Ajo tha se përsërit qëndrimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe “qëndrimin e shtetit” se Serbia, gjatë dialogut, “mund të pezullojë bisedimet me shtetet tjera që mendojnë se kanë gabuar me njohjen e pavarësisë së njëanshme të Kosovës, nëse Prishtina i pezullon bisedimet e saj për të arritur njohje të reja dhe për t’u bërë anëtare e organizatave ndërkombëtare”.

“Mendojmë se kjo është e drejtë. Gjatë dialogut pezullohet gjithçka derisa të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje kompromisi”, tha Bërnabiq.

Edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka mohuar të enjten se Serbia ka ndalur fushatën e tërheqjeve të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Zyrtarët serbë nuk e kanë fshehur se diplomacia e tyre udhëhiqet në këtë drejtim.

Megjithatë, numri i vendeve që kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës – e cila është shpallur në vitin 2008 – si rezultat i përpjekjeve diplomatike të Serbisë, nuk është i qartë.

Daçiçi: Serbia s’e ka ndalur fushatën e çnjohjeve të Kosovës

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se vendi i tij nuk e ka ndalur fushatën e tërheqjeve të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Në një deklaratë për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, Daçiq tha se Serbia as që do ta ndalojë këtë fushatë “nëse të tjerët nuk e ndalojnë fushatën e njohjes së Kosovës”.

Më herët, burime diplomatike në Bruksel u kanë thënë gazetarëve se Serbia ka pranuar ta pezullojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës “për t’i kontribuar atmosferës për rinisjen e dialogut për normalizim marrëdhëniesh” midis Prishtinës dhe Beogradit.

“Si pjesë e vullnetit të mirë, për të krijuar një atmosferë të favorshme për vazhdimin e dialogut, palët në Beograd kanë rënë dakord që të mos vazhdojnë me këtë fushatë”, ka thënë një burim i lartë diplomatik i BE-së.

Një nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian që merret me procesin e dialogut ka thënë se fushata e Serbisë është një “çështje irrituese”.

“Duhet të krijojmë një atmosferë pozitive dhe jo të irritojmë njëri-tjetrin”, ka thënë ai.

Për këto deklarata, ministri serb, Daçiq, tha se ka biseduar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Daçiq tha se ato janë një “gënjeshtër e madhe”.

“Serbia, tash e sa vite, e thotë publikisht se do të ndalojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës vetëm nëse të tjerët pranojnë të ndalojnë fushatën e njohjeve të Kosovës dhe të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Meqenëse kjo nuk ka ndodhur, Serbia nuk ka ndaluar me fushatën e çnjohjeve. Kur ata të ndalojnë, do të ndalojmë edhe ne”, tha Daçiq.

Numri i vendeve që kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës – e cila është shpallur në vitin 2008 – si rezultat i përpjekjeve diplomatike të Serbisë, nuk është i qartë.

Zyrtarët serbë, përfshirë Vuçiqin, nuk e kanë fshehur se diplomacia e tyre udhëhiqet në këtë drejtim.

Serbia po ashtu ka folur hapur për pozicionet e saj kundër pranimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, të tilla si Interpol apo Unesco.

Diplomatët në Bruksel thonë se të dyja palët duhet të kontribuojnë në një atmosferë konstruktive që do të mundësojë rifillimin e dialogut.

Sipas tyre, masat e reciprocitetit që ka ndërmarrë Qeveria e kaluar e Kosovës ndaj Serbisë “nuk janë në këtë frymë”.

Zyrtarët në Bruksel presin që Qeveria e re e Kosovës t’i marrë të gjithë hapat për të krijuar një atmosferë pozitive rreth dialogut, që nënkuptojnë heqjen e këtyre masave.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë së voni se është i zhgënjyer me vendimin për reciprocitet, të marrë nga ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ka kërkuar shfuqizimin e menjëhershëm të tij.
Përgatiti: Valona Tela

Vuçiq nuk e përjashton mundësinë e rifillimit të dialogut

Serbia humb një milion euro në ditë për shkak të masave tregtare të Prishtinës, tha presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

“Ne do të shohim se çfarë do të bëjë qeveria e re e Prishtinës, nëse do t’i heqë ato masa”, tha Vuçiq gjatë një vizite në Novi Pazar.

I pyetur nëse është realiste që dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojë në fund të qershorit, Vuçiqi u përgjigj se kjo është e mundur, nëse autoritetet në Prishtinë, heqin kufizimet për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve nga Serbia.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, vendosi tarifën 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës.

Më pas, qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri, Albin Kurti, e shfuqizoi vendimin për tarifën, duke e zëvëndësuar atë me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Heqjen e masës së reciprocitetit e kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Qeveria e re e Kosovës me kryeministër, Avdullah Hotin, u votua të mërkurën nga Kuvendi i Kosovës, me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim.

Kryeministri Hoti, ka thënë më parë se qeveria e drejtuar nga ai, do të heqë të gjitha pengesat që e bllokojnë rifillimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Greqia bllokon udhëtarët britanikë, amerikanë dhe italianë të vizitojnë vendin në qershor

Greqia mund të jetë një destinacion kryesor pushimesh këtë vit, por për britanikët, amerikanët dhe italianët që ëndërrojnë ta shfrytëzojnë atë për pushime, kjo do të jetë e pamundur për ca kohë. Athina i ka lënë këto vende jashtë listës prej 29 të tillash, nga të cilat Greqia do të nisë të pranojë vizitorë, ndërsa po përpiqet të zbusë dëmet që ka shkaktuar pandemia për industrinë e saj më të madhe, turizmin.

Zyrtarët grekë thonë se udhëtarët nga vendet që nuk janë ndaluar, do të jenë në gjendje të hyjnë në Greqi duke filluar nga 15 qershori dhe vetëm nëpërmjet aeroportin kryesor ndërkombëtar të kryeqytetit, Athinës si dhe metropolit verior të vendit, Selanikut.

Lista me 29 vendeve u hartua pas një rishikimi të rreptë të rregulloreve globale të aeroporteve dhe nivelit të infeksionit COVID-19. Ministri i Turizmit Harris Tehoharis duke shpjeguar arsyet tha se ashtuquajtura lista e vendeve të sigurta është pjesë e një plani të hartuar për të garantuar sigurinë si të vendit ashtu edhe udhëtarëve të huaj.

Ai tha se qeveria greke ia doli të trajtojë me sukses pandeminë duke marrë masa drastike bllokimi që në fillim dhe duke mbajtur nivelet e regjistruara të infeksionit nën 3 mijë dhe numrin e vdekjeve në 175. Në mesin e 29 vendeve, shtetasit e të cilëve do të lejohen në Greqi prej 15 qershorit, përfshihen disa vende të Ballkanit, Izraeli dhe madje Kina e Japonia. Udhëtarët që vijnë nga këto vende do të kontrollohen nëse janë të infektuar me COVID-19 e do të lejohen të pushojnë lirisht pa u kërkuar që të vetëizolohen fillimisht. Në varësi të ndryshimit të nivelit të infeksionit, lista e vendeve mund të ndryshojë përpara se të lejohen të hynë në vend udhëtarët nga e gjithë bota duke nisur më 1 korrik.

Por në kushtet kur SHBA, Britania dhe Italia, vende këto të goditura më rëndë nga pandemia, ekspertë të shëndetit si Gikas Magiorkas paralajmërojnë se mund të duhen muaj, përtej datës një korrik, përpara se udhëtarët nga ato vende të lejohen të vizitojnë Greqinë. Britanikët dhe amerikanë zakonisht përbëjnë numrin më të madh të vizitorëve në Greqi, duke i sjellë vendit miliarda çdo vit.

Ndërkohë, Italia u kundërpërgjigj duke thënë se vendet e “listës së zezë” ishin aty padrejtësisht dhe se Italia nuk do të lejonte të shihej dhe trajtohej ashtu sikurse e cilësoi një zyrtar i lartë, “koloni lebrozësh”.

Megjithë përpjekjen e Greqisë për të hapur turizmin, shumë zyrtarë të industrisë ngurojnë.

Grigoris Tassis, presidenti i shoqatës greke të pronarëve të hoteleve, thotë se ata nuk kanë marrë direktiva themelore nga shteti, përfshirë informacionin se si t’i trajtojnë rastet e infeksioneve në terren që mund të shfaqen.

Në ishullin e Kretës, një destinacion i preferuar për pushime, shumë zinxhirë hotelesh të mëdhenj kanë zgjedhur të hapin vetëm një pjesë të objekteve dhe lehtësira që ofrojnë për pushuesit. Disa studime tregojnë se rreth 65 për qind e hoteleve greke mund të falimentojnë nëse nuk arrijnë të hapen këtë verë./ZiA

Vuçiçi: Jam i gatshëm të nis dialogun kur të formohet Qeveria në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq ka thënë se është i gatshëm të vazhdojë dialogun posa të formohet qeveria e re në Kosovë.

Vuçiq i ka thënë mediave në serbi se serbët dhe shqiptarët duhet të kenë marrëdhënie të mira nëse dëshirojnë të jetojnë në paqe.

“Serbët dhe Shqiptarët përfaqësojnë dy nga kombet më të mëdha në Ballkanin Perëndimor dhe ne duhet të kemi marrëdhënie të mira nëse dëshirojmë të jetojmë në paqe”, ka thënë Vuçiq, shkruan b92, transmeton Gazeta Express.

Këto komente Vuçiq i ka bërë pasi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i ka dhënë të drejtë Presidentit Hashim Thaçi lidhur me dekretin e mandatarit të ri për formimin e qeverisë.

Sulejman Rexhepi shkarkohet nga posti i kryemyftiut të Maqedonisë së V.

Isuf Kadriu

Këshilli i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoninë e Veriut shkarkoi të mërkurën kryetarin e këtij institucioni, Sulejman Rexhepi.

Në deklaratën e lexuar nga myftiu i Gostivarit, Shaqir Fetahu, thuhet se Rexhepi u shkarkua nga detyra për shkak të shkeljes së Kushtetutës së BFI-së, respektivisht nenit 36.

Në këtë nen, veç tjerash, thuhet se kryetari i BFI-së shkarkohet kur “nuk i kryen obligimet për të cilat është zgjedhur, kur qëndrimi dhe puna e tij janë në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI-së, kur punon kundër dispozitave dhe vendimeve të organeve kompetente të BFI-së, kur keqpërdor pozitën në dëm të interesave të BFI-së”.

Vendimi për shkarkimin e Rexhepit vjen pas një sërë veprimesh nga ai, që kanë nxitur reagime në opinionin e gjerë, përfshirë edhe për aktin personal të martesës.

Veç kësaj, reagime të shumta në opinion ka shkaktuar edhe një prononcim i Rexhepit gjatë Festës së Bajramit, këtë javë, kur ka thënë se koronavirusi është i vdekur.

“Nga sot, sëmundjen COVID-19 [që e shkakton koronavirusi] e shpall të vdekur. Zoti është me ne dhe kur Zoti është me ne, ne jemi më të fuqishëm”, ka deklaruar Rexhepi.

Kjo deklaratë u kundërshtua ashpër nga drejtuesit e institucioneve shëndetësore, të cilët kërkuan kujdes nga vlerësimet e tilla, pasi, sipas tyre, mund të kenë pasoja të rënda në opinion.

Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të BFI-së u vendos që postin e kryetarit të këtij institucioni ta ushtrojë myftiu i Gostivarit, Shaqir Fetahu.

Mali i Zi përjashton Serbinë nga lista e shteteve prej nga lejohet hyrja

Beograd

Mali i Zi dje njoftoi se së shpejti do të hapë kufijtë dhe do të fillojë të lejojë vizitorët nga disa vende evropiane, pasi në këtë shtet nuk ka raste aktive me koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Megjithatë, Serbia është përjashtuar nga lista e vendeve të aprovuara, gjë që tërhoqi zemërimin e qytetarëve dhe zyrtarëve serbë.

“Hapja e kufijve me vendet që plotësojnë kriteret e duhura epidemiologjike pritet që në ditët e para të qershorit. Aktualisht, ato janë Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Shqipëria dhe Greqia”, thuhet në një njoftim të qeverisë së Malit të Zi.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, tha sot se vendimi vërteton se serbët nuk janë të mirëpritur në Mal të Zi.

“Qytetarët tanë tani mund të shohin se nuk janë të mirëpritur në Mal të Zi. Kjo sepse ne nuk kemi gënjyer se njerëzit tanë po vdesin nga gripi dhe pneumonia, e jo nga koronavirusi”, tha Brnabiç.

Ajo tha se Serbia nuk planifikon në vendosjen e masave reciproke dhe se nuk do t’i mbyllte kufijtë për qytetarët malazez.

Të dielën, 68 ditë pasi njoftoi rastin e parë pozitiv me COVID-19, Mali i Zi njoftoi se nuk ka raste aktive në vend.

Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 324 raste, prej të cilëve 9 kanë vdekur ndërsa të tjerët janë shëruar.

Biserko: Muajt e ardhshëm vendimtarë se a do të ketë sukses plani i Vuçiqit për ndarje

Ndarja e Kosovës është e vetmja mundësi që Beogradi e ka mbajtur në tryezë për më shumë se tre dekada, thotë Sonja Biserko, presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, duke komentuar për Danas një deklaratë të fundit të presidentit serb për mënyrën se si ai dëgjoi për ndarjen ose shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi.

Sonja Biserko thotë se marrëveshja e Brukselit ka ngecur në momentin kur është arritur interpretimi në lidhje me asociacionin e komunave serbe.

“Vuçiq deklaroi në qershor të vitit të kaluar: “Unë jam për demarkacionin dhe nuk kam turp për këtë, por serbët janë kundër tij dhe unë e kuptova mesazhin e njerëzve”. Ne nuk jemi të gatshëm ta dëgjojmë të vërtetën për Kosovën, edhe kur të gjithë e dinë atë. Njerëzit nuk do ta pranojnë këtë sepse prek emocionet e tyre. Një plan për ndarjen e Kosovës po qarkullon në rrjete të ndryshme sociale. Burime nga Uashingtoni pohojnë se ndarja u diskutua gjithashtu gjatë vizitës së Thaçit dhe Vuçiq në Uashington në shkurt të këtij viti. Muajt ​​e ardhshëm do të jenë thelbësor nëse plani do të ketë sukses apo jo. Shumë varet nga mënyra se si do të vendosë BE-ja, përkatësisht Gjermania dhe Franca”, thotë Biserko.

Dushan Janjiq, drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, thotë se Vuçiq ka mbrojtur idenë e shkëmbimit të territoreve gjatë 2017 dhe 2018, por nuk ishte mjaftueshëm i qartë.

“Herë fliste për korrigjim kufijsh, e herë thoshte se nuk duhet që të gjithë të fitojnë të gjitha, e Serbia asgjë”, ka thënë Janjiq.

Sipas tij, kjo deklaratë e Vuçiq është padyshim një përgatitje për një raund të ri bisedimesh politike për Kosovën me emisarin e presidentit amerikan Richard Grenell.

“Kishim vetëm të ashtuquajtura bisedime politike dhe ekonomike. Por një raund i ri bisedimesh me Lajçak dhe BE po afron qartë. Pritja është më e rrezikshmja. Dhe nuk besoj se Vuçiq po pret diçka”, tha Janjiq.

Vuçiçi: I kam thënë Pendarovskit: mos fol për Kosovën!

Lidhur me intervistën e presidentit të Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski, të dhënë për Gazetën Express gjatë së premtës, ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Kreu i shtetit serb thotë se Pendarovski me deklaratat e tij kundër idesë së ndryshimit të korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve dëshiron që t’u hyjë në qejf gjermanëve, pasi sipas tij, një deklaratë të ngjashme e ka dhënë ditë më parë ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Mass.

“Pendarovski dëshiron t’iu hyjë në qejf gjermanëve”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për TV Prva teksa ka komentuar qëndrimet e Pendarovskit të dhëna për Gazetën Express.

Më tej kreu i shtetit serb ka treguar se kur kishte shkuar në përurimin e Pendarovskit si president i kishte kërkuar që të kishte kujdes dhe të mos fliste për temat që lidhen me dialogun me Kosovën dhe njohjen e pavarësisë.

“Kur shkova në përurimin e Pendarovskit, i kërkova vetëm një herë që t’i kushtojë më shumë vëmendje dhe që të mos flasë për temat që ndërlidhen me Kosovën”, ka potencuar Vuçiq.

Megjithatë thotë se Pendarovski e ka bërë të kundërtën çdo herë dhe sipas tij veprimet të tilla të maqedonasve janë për t’ua bërë qejfin gjermanëve.

“Sigurisht, ata bënë gjithçka kundër kërkesës time, për t’ia bërë qejfin Gjermanisë”, ka shtuar tutje kreu i shtetit serb.

Teksa ka folur rreth kundërshtimeve për idenë e korrigjimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, Vuçiq ka thënë se një gjë e tillë tregon se BE dhe liderët e rajonit presin që Serbia ta njohë plotësisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Ndaj deklarimeve të Pendarovskit në Gazetën Express ka reaguar sot ashpër edhe ministri i mbrojtjes së Serbisë, Aleksander Vulin.

Vulin ka thënë se askush nuk do ta pyet Pendarovski dhe as s’do të marrë opinionin e tij për atë se si Serbia duhet të zgjidhë problemin me Kosovën.

“Askush nuk do ta pyet Pendarovskin për opinionin e tij rreth zgjidhjes së problemit me Kosovën”, ka thënë Vulin, raporton Gazeta Express.

Të premtën ekskluzivisht për Gazetën Express nga zyra për media e Presidencës së Maqedonisë së Veriut, kanë thënë se Pendarovski beson që korrigjimi i kufijve apo shkëmbimi i territoreve mund të ketë efekte të dëmshme dhe se rrezikon gjithë progresin në rajon.

“Presidenti Pendarovski beson se zgjidhjet që mund të çojnë në korrigjimin e kufijve dhe shkëmbimin e tokës dhe njerëzve mund të kenë ndikim të pafavorshëm në rajon dhe efekt të dëmshëm për përpjekjet gjithëpërfshirëse të bëra në rimëkëmbjen pas konfliktit të rajonit dhe në ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme multi-etnike”, ka thënë për Gazetën Express, Biljana Radeva.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, është kundër idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, një zgjidhje që mund të vijë përmes një ideje të tillë do të ketë efekte të dëmshme për rajonin dhe do të vërë në rrezik gjithë progresin që është bërë në 20 vjetët e fundit. Pendarovski ndërkohë mbështet përpjekjet e SHBA-së dhe BE-së në raport me dialogun Kosovë-Serbi dhe thotë se është për një marrëveshje kompromisi mes Prishtinës dhe Beogradit që ka garancinë e fortë ndërkombëtare dhe që i kontribuon stabilitetit.

Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi mbahen më 21 qershor

Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi do të mbahen të dielën më 21 qershor.

Vendimi është marrë sot pas një takimi të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq me përfaqësuesit e partive politike.

Zgjedhjet ishte dashur të mbahen në prill, por që u shtyen për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit.

Kumanova, qyteti më i goditur nga Covid-19 në Maqedoninë e Veriut

Isak Ramadani

Kumanova është qyteti më i prekur, menjëherë pas Shkupit nga koronavirusi dhe masat shtrënguese atje u vendosën pas disa raste vdekjesh dhe rritjes së shpejtë të numrit të të infektuarve.

Qendra e Shëndetit Publik në Kumanovë, e cila ka për detyrë të gjurmojë, identifikojë dhe izolojë bartësit dhe të prekurit nga koronavirusi, po përpiqet së bashku me autoritetet spitalore të qytetit të ndalë përhapjen e infeksioneve.

Drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik në Kumanovë, doktor Arif Latifi në një bisedë përmes Skype-it me Zërin e Amerikës thotë se numri i pacientëve të prekur nga COVID-19 në spitalin e qytetit ndryshon me dinamizëm brenda ditës, me që rastet me simptoma më të lehta ndalen këtu, mirëpo atyre shumë shpejtë mund t’u përkeqësohet gjendja dhe duhet të dërgohen në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup.

Zoti Latifi thotë se një numër i qytetarëve të Kumanovës nuk po i respekton rekomandimet e mjekëve, megjithëse u janë bindur urdhërave për ndalim-qarkullim:

“Mirëpo, kur e fitojnë atë lirinë disaorëshe, ata dalin në rrugë, grumbullohen dhe disa nuk mbajnë maska, kështu që vetëm rrezikojnë të rrisin numrin e të infektuarve”, thotë kreu i Shëndetit Publik në Kumanovë.

Doktor Latifi u bën thirrje atyre që mund të jenë bartës të virusit që të vetëizolohen, sikurse të gjithë qytetarëve sepse në këtë mënyrë, thotë ai, na ndihmojnë t’i identifikojmë pacientët e mundëshëm ose bartësit e infeksionit.

“Do t’i lusnim qytetarët të cilët i anketojmë në anketat epidemiologjike që të jenë të sinqertë dhe të na tregojnë të vërtetën, sepse disa nga ta po i fshehin kontaktet që kanë pasur, e me këtë edhe bartësit e mundshëm të infekstionit. Duhet ta kenë të qartë se po të jesh i prekur me koronavirus nuk do të thotë turp; ështe shqetësim për të gjithë ne, ndërsa vihet në rrezik personeli mjekësor dhe familjet tona”, thotë ai.

Doktor Latifi vlerëson se numri i të prekurve po vjen duke u rritur.

Virusi ka prekur dhe një numër të konsiderueshëm të mjekëve dhe personelit mjekësor jo vetëm në Kumanovë, por në këtë qytet fillimisht u konfirmuan 11 mjekë dhe infermierë me koronavirus, sipas të gjitha gjasave të infektuar nga pacienti i ashtuquajtur zero në këtë zone, teksa numri i tyre sot ka shkuar në mbi 20.

Nga mbi 600 personat e prekur me COVID-19 në Maqedoninë e veriut, rreth dhjetë përqind janë mjekë dhe personel spitalor. Autoritetet u bëjnë thirrje atyre që të mbrohen duke përdorur pajisjet e domosdoshme që i kanë në dispozicion.

Së fundmi, në Shkup kanë arritur mijëra maska dhe pajisje të tjera mjekësore nga Sllovenia, Hungaria e Turqia, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë ndarë një ndihmë prej 1.1 milion dollarësh për zbutjen e gjendjes dhe luftimin e koronavirusit në Maqedoninë e Veriut.

Ministri serb: Reciprociteti më i keq se sa taksa 100%, do të ketë zero tregti me Kosovën

Ministri serb i Tregtisë, Rasim Lajiç deklaroi se reciprociteti, masa e paralajmëruar nga Kosova, është më e keqe se sa taksa prej 100 për qind.

Teksa foli për heqjen e taksës pas 1 prillit, ministri serb tha se “disa mallra kanë shkuar, ndonëse në sasi të papërfillshme, megjithatë ato shkuan. Nëse aplikohet reciprociteti siç është paralajmëruar, që në të gjitha faturat duhet të deklarohet se dërgohet në Republikën e Kosovës, ato mallra nuk do të shkojnë, sepse autoritetet tona doganore nuk mund të t’i njohin këto dokumente”.

Ai pohoi se me këtë strategji të ndjekur nga Kosova, “tregtia do të jetë zero”. bw

Twitter fshin 8 558 llogari të lidhura me partinë e Vuçiçit

Kompania Twitter njoftoi se ka fshirë 8,558 llogari të lidhura me Partinë Përparimtare të Serbisë (SNS) në pushtet.

Këto llogari, sipas Twitter-it, promovonin partinë në pushtet dhe udhëheqësin e saj.

“Në fund të vitit të kaluar, ne identifikuam grupe llogarish të përfshira në veprimtari të koordinuara joautentike që çuan në fshirjen e 8,558 llogarive të cilat promovonin partinë qeverisëse të Serbisë dhe udhëheqësin e saj”, tha Twitter.

Përmes një njoftimi tjetër, Twitter tha se gjithashtu kishte mbyllur një rrjet llogarish të lidhura me Arabinë Saudite dhe që vepronin edhe në vende tjera: Egjipt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Këto llogari e kanë ekzagjeuar përmbajtjen duke lavdëruar udhëheqjen Saudite, si dhe kanë kritikuar veprimtarinë e Katarit dhe Turqisë në Jemen.

“Janë fshirë gjithsej 5.350 llogari”, tha Twitter.

Pas një hetimi nga një organizatë ndërkombëtare e gazetarëve hetues – Bellingcat – për një operacion informacioni në Indonezi që synoi Lëvizjen e Pavarësisë së Papuas Perëndimore në Indonezinë lindore, Twitter hoqi 795 llogari mashtruese, të cilat nga faqe të dyshimta promovonin përmbajtje pro-qeveritare.

Kompania gjithashtu pohoi se kishte zbuluar se shumë llogari të paautorizuara po hynin në Twitter nga një IP (shifra identifikuese e një kompjuteri të kyçur në internet) në Honduras dhe kryesisht po reklamonin llogarinë e presidentit.

Twitter gjithashtu njoftoi se kishte mbyllur 2.541 llogari në një rrjet me qendër në Egjipt të njohur si El Fagr. rel


Send this to a friend